You are on page 1of 2

Politika dhe politikanët: modeli kosovar

Nga: Alfred Marleku dhe Muhamet Ibrahimi

Politika, sipas Theodore Parker, është shkenca e urgjencës. Për Groucho Marx, ajo është
arti i gjetjes së problemeve, diagnostifikimit të tyre, dhe aplikimit të zgjidhjeve të
gabuara për problemet në fjalë. Në anën tjetër, Napoleon Bonaparta kishte thënë: në
politikë, absurditeti nuk është pengesë.

Politika, stili kosovar


Politika, sipas modelit kosovar, mund të përshkruhet si, art i arteve dhe shkencë e
shkencave. Ajo mashtron dhe ngatërron. Në punë të lartëson; në jetë të pasuron.
Ironikisht, politika është i vetmi profesion, ku mungesa e diturisë është më e mirë se vetë
dituria. Politika tek ne është punë profitabile, ku truri dhe arsyeja e shëndoshë janë më së
paku të nevojshëm.
Politika kosovare është e rastit dhe nuk ka strategji veprimi. Është përçarëse dhe
ka prirje për të bërë hile. Nuk është unike as në momentet më kritike për ardhmërinë e
kombit. Shpenzimet e saj janë enorme dhe nuk mund të justifikohen. Konceptet
“e vërtetë“ dhe “gënjeshtër” janë të paqarta, të papërcaktuara dhe jorrallë ndërrohen me
njëra-tjetrën. Politika tek ne paraqet një formë të shëmtuar të bixhozit ku nuk vlejnë
rregullat. Shpeshherë, politika e përzier me gjuhën e urrejtjes gjeneron kriza të thella.
Politika kosovare i simplifikon çështjet, i trivializon ato dhe fokusohet në personalitete,
duke bërë njëkohësisht edhe hyjnizimin e tyre.

Politikanët
Politikanët tanë, me përjashtime të rralla, janë varietet i pafundëm, grup i paqëndrueshëm
i diversiteteve dhe koleksion i kopjeve. Disa prej tyre janë individë amoral, që të
padrejtën e proklamojnë si të drejtë. Shumë nga ta nuk kanë sens për humor; kur bosët
politikanë janë të padisponuar, ashtu duhet të duken edhe pjesëtarët e eskortës së tyre.
Ata mund të ndëshkojnë për padëgjueshmëri, por assesi nuk bën të kritikohen për këtë
veprim.
Një numër i madh i politikanëve kosovarë merren me thashetheme dhe shpifje.
Garën tradicionale të ideve rreth platformës së qeverisjes, ka kohë që e anashkalojnë.
Tani, ata konkurrojnë dhe garojnë me premtime, shpresa apo parashikim të së ardhmes.
Politikanët bëjnë joshjen e votuesve me projekte progresive, që në të vërtetë nuk janë
asgjë tjetër veçse retorikë e zbrazët dhe shpresa iluzore.
Të gjithë politikanët pajtohen vetëm për një gjë, e ajo është se nuk pajtohen për
asgjë. E proklamojnë fuqishëm respektimin e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve; në
anën tjetër nuk i pranojnë vendimet e gjykatës më të lartë të vendit, nëse këto vendime
nuk u përshtaten (kujto vendimin e Gjykatës Supreme rreth kontestit ministri – rektorat).
Fjalimet e shumicës së politikanëve tanë i karakterizon ambiguiteti dhe mungesa e
logjikës. Fjalët e tyre janë, thënë me eufemizëm, metafora transparente që nuk i përkasin
realitetit ekonomik dhe politik të vendit tonë. Për fushatën e paskrupullt denigruese që
zhvillojnë kundër rivalëve politik, lakmi do t’ua kishte edhe shefi i propagandës raciste
Jozef Gebbels.
Politikanët tanë “nuk kanë” dëgjuar për fjalën kompromis; sa për aplikimin e saj,
as që mund të flitet. Paaftësia e tyre për të negociuar është tmerrësisht e madhe. Të gjithë
duan t’i realizojnë qëllimet e tyre dhe ekskluzivisht qëllimet e tyre. Interesi publik është
fjalë që ata e kuptojnë, por shumë e urrejnë; interesi personal është fjala që ata e
preferojnë.
Mundësitë reale për të racionalizuar iracionalitetin e politikës kosovare, nëse ato
ekzistojnë, janë shumë të vogla. Politika jonë e dezorientuar dhe politikanët tanë të
“jashtëzakonshëm” janë pafundësisht “magjepsës” dhe misterioz. Është koha e fundit që
qytetarët e vendit tonë të mbledhin guximin për të ripërcaktuar arsyet dhe qëllimet e
politikës që ndjekin politikanët tanë. Një gjë është e qartë, ky nuk është atdheu që e
ëndërronim para disa viteve; qytetarët e rëndomtë dhe patriotët e vërtetë të këtij vendi me
të drejtë pyesin: Quo vadis Kosovë?

Shkrimi është botuar në të përditshmen “Express”. Nr. 98, viti I-rë, e shtunë, 04 qershor
2005. Fq. 19.

You might also like