Humbja e kohës - krizë e rinisë

Muslimani duhet ta ketë parasyshë se Allahu është betuar në kohën, që do të thotë se koha ka vlerë të madhe. Shkruan: Mr. Bashkim ALIU Koha është prej begative më të çmueshme dhe më të mëdha që Allahu xh.sh. ia fali njeriut. Rëndësia e kohës shihet edhe në faktin se Allahu xh.sh. është betuar në kohën në Kur'anin famëlartë.Allahu xh.sh. thotë: "Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm"[1]. Po ashtu, edhe i dërguari i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. në disa hadithe ka treguar për rëndësinë e kohës dhe të moshës së re të njeriut në veçanti, sepse kjo moshë është mosha e vitalitetit dhe fuqisë. I dërguari i Allahut thotë: "Dy begati i neglizhojnë shumë njerëz:shëndetin dhe kohën e lirë"[2]. Po ashtu, në një hadith tjetër transmentohet se ka thënë: "Nuk do të lëvizin këmbët e njeriut ditën e kijametit prej të qëndruarit para Allahut derisa të pyetet për pesë gjëra:Për jetën ku e ka kaluar, për rininë në çka e ka harxhuar, për pasurinë si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar si dhe çka ka vepruar me atë që e ka mësuar"[3]. Pra, koha ka vlerë dhe rëndësi të madhe për njeriun, sepse Allahu xh.sh. nuk na ka krijuar për kotë, nuk na e dha moshën e rinisë krejt vitalitet dhe aftësi e fuqi për të bërë çudira që ta harxhojmë pa mos patur kurrnji dobi dhe pa mos lënë kurrnji gjurmë në jetën e njeriut dhe në shoqëri. Nuk ka dyshim se një nga problemet evidente të rinisë Islame në veçanti po në përgjithësi edhe të disa të rinjve të besimeve tjera, është mos kujdesi ndaj kohës dhe shfrytëzimit racional të saj. Një pjesë e të rinjve, mos e teprojmë e ti përfshijmë të gjithë, nuk i kushtojnë kujdes asaj se si e kalojnë dhe ku e kalojnë kohën, nuk janë vigjilent ndaj elementeve destruktive dhe faktorëve negativ të cilët punojnë me të madhe që i riu musliman mos të krijojë shprehi që ta shfrytëzojë si duhet kohën e vet, por ta humbin dhe ta harxhojnë në gjëra të pa vlefshme. Është e vërtetë se i riu i rinisë së hershme ndoshta nuk ka shumë preokupime sikur që ka i riu i rinisë së vonshme, për atë duhet ta shfrytëzojë maksimalisht kohën që e ka në disponim, sepse kur do të hyjë në moshë, kur do të krijojë familje dhe kur do t'i shtohen obligimet dhe preokupimet, atëherë do ta kuptojë rëndësinë e kohës së lirë, por atëherë ajo nuk do të jetë në disponim të tij dhe do të jetë e kotë të qajë për të. Disa të rij, kohën e humbin duke qëndruar pa gjumë deri në orët e vona të mbrëmjes për shkak mbrëmjeve gazmore, zbavitjeve, lojave të bizhozit, bisedave të pa rëndësishme me shokë, etj. E gjithë kjo do të rezultojë me gjumë deri në mesditë apo edhe më vonë, mos shkuarje në punë, mos kryerje e obligimeve të rëndësishme, mos shkuarje në shkollë në tërësi apo humbje e orëve të para rregullisht, e mos të bëjmë fjalë për obligimet fetare të cilat paraqesin anijen e shpëtimit të njeriut nga shtërngatat e djallit dhe degjenerimit. Nëse nuk shfrytëzohet koha si duhet, apo më mirë thënë nëse humbet koha kot, nuk mund të kemi një të rij musliman të gatshëm për kryerjen e angazhimeve që i imponon koha, nuk mund të kemi profesionist të lëmive të ndryshme, shkencetarë të mirëfilltë, njerëz të penës,

politikan të shkathtë dhe punëtorë të sinqert, njerëz me famë apo thënë shkurt kuadro të shëndosha. Ja si e këshillon rininë një nga mendimtarët bashkëkohor Islam, prof. Mustafa Tahhan: "Brezi i ri islam i cili tenton mbi vete të marrë synimin e reformës dhe ndryshimit rrënjësor të umetit islam në drejtim të së mirës, medoemos duhet patur kujdes ndaj çështjes së kohës në veprimin dhe aktivitetin e tij. A thua do të mund të arrijë sukses në rast se në mesin e tyre janë më shumë prej atyre të cilët çështjes së kohës e kanë lënë pas dore? Apo prej atyre të cilët nuk lejojnë hapjen e çështjes së kësaj teme?"[4]. I riu musliman së pari duhet ta ketë parasyshë se Allahu xh.sh. është betuar në kohën, që do të thotë se koha ka vlerë të madhe, për atë duhet të ketë kujdes dhe të mendohet mirë që mos e kaloj kot dhe mos e humb në gjëra të pa rëndësishme, poashtu së dyti duhet t'i shoh tjerët, ata që arritën më larg se ne në shkencë dhe teknologji si e shfrytëzojnë kohën, gjegjësisht të shoh se a thua vallë e kalojnë kotë dhe a e humbin në gjëra të pa vlefshme, apo mbajnë llogari për çdo minutë të kohës së tyre. Popujt të cilët kanë arritur në shkencë dhe teknologji dhe janë bërë sot për ne mostër që ua kemi lakmi, këtë e kanë arritur duke e respektuar kohën dhe duke mos lejuar që t'u shkojë koha kotë. Nëse ata nuk kishin respekt ndaj kohës, nuk do të mund të arrinin atje ku janë sot. Me këtë rast, do t'i përmendi fjalët e mendimtarit bashkëkohor Islam Mustafa Tahhan i cili thotë: "Vetëm njeriu i qytetëruar që i çmon vlerat e veta dhe të kohës, do të mund të bëj mrekullira dhe lehtë të dominojë me ardhmërinë e kohës. Për dhjetë vjet Japonia arriti që nga izolimi vetjak të arrijë në rangun më të lartë të popujve të përparuar industrialë... Kuptohet, Japonia këtë e arriti me anë të vlerësimit dhe respektimit të kohës"[5]. Allahu xh.sh. na e fali kohën që ta shfrytëzojmë për të mirën tonë dhe për të mirën e shoqërisë e njerëzimit në përgjithësi, e kjo nuk mund të arrihet nëse humbet dhe kalohet kot, na e fali kohën që të punojmë për këtë dhe për botën tjetër, e nëse e humbim kotë, rrezikojmë ta humbim edhe këtë edhe botën tjetër, ndërkaq duhet të jemi shumë të sigurtë se për çdo minutë do të mbajmë përgjegjësi si e kemi kaluar dhe do të pyetemi nga Allahu xh.sh. se a e kemi kaluar kohën si duhet. I riu musliman nuk guxon për qejfin e shoqërisë ta humb kohën në gjëra të kota, sepse me këtë e ka shkatërruar veten dhe e ka dëmtuar shoqërinë.Ata të cilët e drejtojnë në këtë rrugë, janë armiqt e jo miqt e tij, ndërsa ai nuk guxon ta sakrifikojë ardhmërinë e tij për shkak disa qejfeve të kota.Thënë ndryshe, nëse don që mos të vazhdojë në këtë punë të mbrapsht, ai duhet që ta braktis shoqërinë e këtillë. Është e domosdoshme që i riu musliman ta programojë kohën e vet, të ndajë kohë për mësim, për shoqëri, për vizita, veprime tjera të nevojshme, obligimet fetare, etj.Nëse ai nuk e programon kohën e vet, veç e ka hapur derën për humbjen e saj në gjëra të kota. I riu musliman, duhet ta ketë parasyshë dhe ta dijë se humbja e kohës në gjëra të kota është shkelje e urdhërit të Allahut, humbje e vetvetes, dëmtim i shoqërisë dhe njerëzis si dhe tradhti ndaj kauzës, sepse jetojmë në kohën kur tjerët me shpejtësi ecin përpara, e ne nëse nuk jemi të aftë që t'u bëjmë ballë, atëherë e kompromitojmë jo vetëm veten tonë dhe brezin tonë, por edhe besimin të cilit i takojmë dhe brezat tjerë të kësaj feje, sepse tjerët do të thonë muslimanët janë të prapambetur pa bërë dallim ndërmjet besimit dhe pjesëtarit të besimit, dhe në mes gjeneratave të një besimi.

[1] Kaptina El-Asr. [2] Hadithin e transmenton Buhariu, kitabur-rikak, babu:ma xhae fi er-rikak ve en la ajshe illa ajshe-l-ahireti. [3] Hadithin e transmenton Tirmidhiju, kitabu sifeti-l-kijame ve er-rekaik ve-l-veri'ë, babu:fi-lkijameti. [4] Aftësimi edukativ Islam, f.152. [5]Aftësimi edukativ Islam, f.150.