You are on page 1of 6

Delegatë në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare

SALI GJUKË DUKAGJINI - ME PENË, PUSHKË E FLAMUR NË DORË

Nga: Prof.as.Dr.MURAT GECAJ
publicist e studiues - Tiranë

Sa herë afrohet 28 Nëntori, festa e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, brezat e
shqiptarëve përherë sjellin në kujtesë ato ditë gjëmimtare të vitit 1912. Se ato janë të
paharruara në histori, kur intelektualë e luftëtarë të shquar të Kombit, përfaqësues të
popullit tonë, firmosën një Akt të pashembullt e të papërsëritshëm-shpallën njëzëri
“mvehtësinë” e atdheut e popullit tonë. Prandaj ata i kujtojmë me nderim dhe përulemi
përpara jetës dhe veprës së tyre të ndritur.
Njëri ndër këta atdhetarë është dhe Sali Gjuka ose i njohur dhe Sali Gjukë
Dukagjini. Lindi në qytetin e Pejës, në vitin 1876, në një familje me tradita të larta
atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku familja e
tij u vendos si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. Pasi kaloi vështirësitë e kohës,
mundi të regjistrohej student në Fakultetin e Drejtësisë, në Selanik. Pas mbarimit të
studimeve, nisi punën në gjykatën e atij qyteti dhe e vijoi veprimtarinë në shërbim të
çlirimit të Atdheut të robëruar.

1
Sali Gjukë Dukagjini
“Mësues i Popullit”

Në vitin 1909, megjithëse ilegalisht, punoi pa u lodhur për çeljen e shkollës shqipe
në Pejë. Ndërsa në vitin 1910, me përkrahjen e atdhetarëve Bajram Curri, Hasan Prishtina
etj. u bë mësuesi i parë i shqipes për nxënësit shqiptarë, në shkollën Normale dhe
Gjimnazin e Shkupit. Në këtë mision të shenjtë, aty pati përkrah atdhetarin e njohur Bedri
Pejani.
Në vitet e kryengritjeve të mëdha mbarëpopullore antiosmane të viteve 1910-1912,
Sali Gjuka u dallua si një luftëtar e veprimtar i shquar, ndër më popullorët e kohës. Me
nismën e tij, në prill 1912 u formua në Selanik, Klubi i ri me emrin kuptimplotë "Bashkimi",
i cili propogandoi edukimin e ndjenjave atdhetare, përhapjen e gjuhës e të arsimit shqip.
Në Nëntorin e stuhishëm të vitit 192, Saliun do ta gjejmë përsëri bashkë me
luftëtarët e mendimtarët më në zë të kohës. Me thirrjen, që u kishte bërë atdhetari i flakët,
Ismail Qemali, drejt Vlorës udhëtonin sa e sa delegatë, përfaqësues të popullit luftëtar,
nga e gjithë Shqipëria. Ndërmjet tyre, si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës,
Gjakovës, Plavës e Gucisë, ishte dhe atdhetari e mësuesi i palodhur i gjuhës shqipe dhe i
ndjenjave atdhetare, Sali Gjukë Dukagjini.
Në aktin përfundimtar për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, i cili ka
nënshkrimet e 63 delegatëve, pjesëmarrës të Kuvendit të madh të 28 Nëntorit 1912,
përkrah emrave të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Nikollë Kaçorrit, Jani
Mingës, Dervish Himës, Babë Dudë Karbunarës e të atdhetarëve të tjerë, dallohet qartë
dhe firma e Sali Gjukës. Ky ishte një vlerësim i merituar, që i bënte atij populli shqiptar për
përpjekjet e shumta e sakrificat e mëdha, që kishte bërë deri atëherë për pavarësinë e
Shqipërisë. Kuvendi i Vlorës, duke marrë parasysh veprimtarinë e gjerë të Sali Gjukës, e
zgjodhi atë këshilltar në përbërjen e Pleqësisë( Senatit), detyrë që e kreu me përgjegjesi.

2
Në kohën e qëndrimit në Vlorë, Sali Gjuka ishte ndihmës i Luigj Gurakuqit për
problemet e arsimit. Për këtë gjë dëshmojnë dhe artikujt e botuar në gazëtën "Përlindja e
Shqipnisë".
Ndërsa në janër 1913 filloi nga puna si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.
Menjëherë hapi shkollën Normale të përkohëshme, ku do të përgatiteshin mësuesit e parë
dhe do të kualifikoheshin mjaft të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Kosova, të cilët
më pas shkuan në vendlindje, ku çelën shkolla në gjuhën amtare. Gjithashtu, ranë në sy
puna e zelli i madh i tij për çeljen dhe funksionimin e mjaft shkollave shqipe në ato zona.
Megjithëse shërbeu si drejtor arsimi, Sali Gjuka nuk u shkëput nga ngjarjet politike e
shoqërore të kohës. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës, përkrahu
Revolucionin e Qershorit 1924 dhe masat demokratike të Qeverisë së Fan Nolit.
Patrioti i madh Bajram Curri, duke njohur e çmuar lart veprën atdhetare dhe
ndihmesën e Sali Gjukë Dukagjinit në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, iu përgjigj
kështu Fan Nolit, kur ky i kërkoi mendim për postin e ministrit të Arsimit, në Qeverinë
Demokratike të asaj kohe: "Si unë vetë, ashtu dhe tërë kosovarët e çmojmë plotësisht
rëndësinë që ka Ministria e Arsimit dhe prandaj kemi të mëdhe dëshirën që atë vend ta
zejë një njeri kompetent, i zoti i punës dhe që të ketë dhënë prova në jetën e vet të
sakrificave, që bëri populli ynë...Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e
Sali Gjukës".
Armiqtë e ndoqën hap pas hapi trimin luftëtar e të ditur, Sali Gjuka. Në vijim të
përndjekjeve të mëparshme, në vitin 1920 e intriguan për një faj, të cilin nuk e kishte
kryer. Saliun e akuzuan se, gjoja, kishte marrë pjesë në vrasjen e Abdyl Ypit. Për këtë e
dënuan 10 vjet burg, 4 nga të cilat i vuajti.
Pas fitores së Revolucionit të Qershorit 1924, kur e liruan të pafajshëm nga burgu,
S. Gjuka punoi pak kohë drejtor i shkollës plotore të Beratit. Por e kuptonte se vuajtjet e
shumta të jetës dhe sëmundja e tuberkulozit po e mposhtnin. Kështu, i mbylli sytë
përgjithnjë në atë qytet, më 25 tetor 1925.
Sali Gjukë Dukagjini është nderuar me titullin e lartë, “Mësues i Popullit”, me këtë
motivacion: "Patriot i shquar dhe veprimtar i palodhur për përhapjen e arsimit e të mësimit
të gjuhës shqipe; mësues i gjuhës shqipe në Normalen e Shkupit; pjesëmarrës në
Kuvendin Kombatar të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë; drejtues dhe organizator i
arsimit tonë kombëtar, në shtetin e pavarur shqiptar, në vitet 1912-1920".
Fjalë vlerësimi e nderimi për të kanë thënë: prof.dr. Aleksandër Xhuvani, prof.dr.
Aleks Buda e të tjerë. Me artikuj e studime, sidomos në vitet e fundit, gjithnjë e më tepër
Sali Gjuka po bëhet i njohur në trojet shqiptare. Në vitin 1991, Dr. Muhamet Pirraku ribotoi
në Prishtinë gramatikën e tij shqip-turqisht, të përkthyer në shqip dhe të pajisur me
shënime e të paraprirë me një jetëshkrim të tij. Një shkollë e mesme në Urën Vajgurore të
Beratit mban emrin e nderuar ta Sali Gjukës. Me jetën e tij, ai frymëzon breznitë e reja për
t'iu përkushtuar sa më shumë Atdheut e diturisë.
Në jetëshkrimin, që u botua kur ndërroi jetë Sali Gjuka, u thanë dhe këto radhë
profetike: "... Emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në mermerin e famës". Ndërsa
një poet beratas , ka thurur edhe këto vargje domethënese, për Sali Gjukë Dukagjinin:
"Emri yt i ndritur, / balli i shkollës sonë,/ shikoje, moj Vlorë,/ Berat e Kosovë !".

3
Dy shkrime të Sali Gjukë Dukagjinit:

RROTULL DËSHIRIT KOMBËTAR

“Ballkani asht për gjinden e tie; çdo komb
Evropas ka te drejtë me e sundue vetë-
veten”

Shumitsa e dijetarëvet t' Evropës, ma të teprit e shkrimtarëvet të
drejtësisë ndërkombëtare kienë tue thirrë e thanë, se Ballkani asht për
gjinden e tie, çdo komb Evropas ka të dreitë me e sundue vetë-veten. N'atë
kohë të mnershme ankimet, vaitimet e Bullgarëve e të Grekëve ishin tue u
ndie deri në kupë të qiellit. Atë herë Bullgarët kienë tue u thirrë, tu' u pre fyta-
fytaz, tue u vra kamba në dorë, me tradhtarë të tyne, me grekë e me ushtrien
Turke.
Si Bullgarët ashtu edhe Grekët ishin tue liftue e u përpiekshin me mish
e me shpirt për me ia këputë shtatit Turk Maqedonien, d.m.th. qafën. Atë
herë Shqypnia s'ish tue tregue gjallnie per vete, kie tue ndejë si mos me
kienë; zani i saj kie ngurrue e s'u ndiete ku; ishim si mos zot ma keq, po si nji
bulk qi pranon çfarë do zotnie e kuiton se asht le, ka kienë e duhet me rrnue
gjithmonë në robni.
Shqypnia kie tue u njoftë si nji vend i shkretë me nierëz të pa veshë e të
pa gojë; prandej ish tu' u bisedue se si me u pjestue ndermjet fuqivet e qysh

4
me na farue prej jetet. N'atë kohë të terqethshme, të parët e qeveries me ç'do
mënyrë e fuqie marriet të tyne u ndimoishin anmiqe ,tue na e pre giuhën, tue
na i mshelë shkollat, tue na i dënue e dëbue të ritë; tue dërgue metropolit
serbi në Dibrë, tue shpifë ngatrrime fetare. Fletoret e kombit sundues, të tanë
të këndueshmit shqyptarë i paraqitshin si të pa fe, italian, austriak e të
padishmit: t' egrë e të flliqët; por mos të harroim se vet ishin të pa besë e gjith
qysh me nder ne. Shpirti i tyne dote me kienë sundues, ata nuk kienë
anmiqët e gjuhës, të flamurit e të dijetarëvet të vetë, pra sallde kah kto pika
kienë ma fisnikë se na!
Shqypnia kie si sod me plagë faruese e me krymba helmuese; po me
shkolla të huja e me vese tradhtare.
Qeveria zyrtarisht e shtrengote shqyptarin orthodoks me u njoftë grek,
katolikun e dite latin; kështu pra ajo dote me na fshie prej faqes së dheut. Na
me e pasë hupë giuhën, patëm me u njoftë të pa asnjë të dreitë, kreit si
muhamedanët e Maqedonies.
Dikur qeveria i pat njoftë për shqyptarë do faqezie të pa shokë, si: Arif
Hiqmetin e Kumanovës e Sulejman Amborien e Korçës. Njeni prei tyne e
thjeu qafën prei kalit në rangë të Serbies, tu u mundue me e prishë e me e
poshtnue Atdhenë, tietri ditë për ditë po i lutet Evropës për me lanë Grekien
në Shqypnie. Ah, i mjeri sy verbti shqyptar edhe sod po i parapëlqen njato
farë këshillime fikashpijet e të njasi farë nierëzve.
S.G.D.
(Sali Gjukë Dukagjini, gaz. "Populli", nr.41, e mërkurë,
28 prill 1915 ,faqe 4 )

PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT NË SHQIPËRI

“Rrnofshin ata fatbardhë, qi do
të bahen mësues në Abnie të lirë!...”

Si çdo komb edhe shqiptarët ma të madhen randësi kanë me i dhanë
degës së arsimit, se vetëm këtu e shohin, duhet me e pa uzdajën e
qytetnimit.
Veç me përparimin e arsimit mund të humbet o të tretet mjegulla e
errësisë së verbueshme; kështu fitohet lumnia e shekullit qi ndohemi,
ndryshe nuk shitohet kulshedra e padijes.
Lirimi i Shqipnisë prej Turqisë ka me kjenë kobi i paditunisë.
Sundimi shqiptar e vendoi që të çilet në çdo sundimtari nga një
Normale përgatitore, në të cilat si nxanës do të pranohen ata qi kanë këto
kushte:
a) Kush ta ketë krye së pakti shkollën ruzhdije o çdo shkollë qi asht
baraz me te;
b) Ata shqiptarë qi kanë kjenë kudo mësues;
c) Kush s' asht me ndonji sëmundë të ngjitshme;
5
ç) Ata qi s'i kanë shkue të tridhetë vieçët;
d) Kush mundet me dalë fitues në provimt' të së hymes.
Pranimi i mësuesvet nuk do të jetë nji me t'atyne qi s'janë rrye me këtë
mjeshtëri të bekueme.
Ata qi janë kjenë mësues nën rrogë të qeveries do të përgjigjen: pak
këndim e shkrim; nji grimë nga gjeografia fillestare; mirë prej katër punëve të
numërimit.
Tjerët do të provohen: mirë nga katër punët e numërimit, prej numrit të
coptueshëm; shkurtazi nga gjeografia e historia edhe prej shkrimit e këndimit.
Sundimi ynë ka marrë parasysh të varfnit, prandej atyne qi u provohet
skamja, kur mos t'jenë me shtëpi ku ndodhet Normalja, do t'u japë nga
gjashtë mexhide në muej.
Ministria e Arsimit i urdhnoi të gjithë sundimtarët qi të zanë nga nji
shtëpi për shkollë Normale; t'i kryejnë të tana të mbetat.
Pra, tashti detyra e madhe iu varet atdhetarëvet për me ia ngashnjye
popullit arësimin, për me ia u tregue nevojën, dobien, shenjtnien e ditunien.
Ata qi janë të zotët e mësimit, ata qi guxoin me thanë se jemi therorët e
Shqypnies, le të mundohen për zgjimit të zogjëvet të saj.
Vetëm me arsim munt ta shpëtoim Atdheun prej çdo shkelmit të
mallkuet.
Gjer mos ta hiekim ndryshkun e Turqisë, sa të kenë fuqie paria, qi
kënaqet tyke thithë gjak në kurriz të gjindes shqyptare; gjer mos të mësohet
njerëzia qi asht për t'u adhurue gja, përveç nomit; deri të dihet ma e madhja
nderë, vdeka për të bamet të detyrës; sa mos ta dimë qi trimnia asht urtësia e
se theroria asht vdekë në luftë tu i dhanë pat zyrtari, s'munt të bahet as njana
prej atyne qi dishrohen. Këto nevojë na i tregon prova, do të na i mësojë
arsësimi me rreze driatare të saj.
Kush e do jetimin (jetesën,-shënimi im,-M.G. ) e Shqyptaries, të vrapojë
e të hyjë në këtë ushtrie për me luftue me padijen.
Rrnofshin ata fatbardhë, qi do të bahen mësues në Abnie të lirë!
S.Gj.D.

( Sali Gjukë Dukagjini,në gazetën " Përlindj' e Shqypnies ", botim i
Qeverisë Kombëtare, Viti I, Vlorë, 24/6, gusht 1913)

Përgatiti për botim:
Prof.as.Dr. MURAT GECAJ

6