You are on page 1of 3

MBI ARSYEN

Bujar Plloshtani

Arsyeja është aftësia inteligjente për të shquar intuitivisht njohjen nëpërmjet veprimit
të mendjes së kulluar, duke e përfituar të vërtetën me anën e të menduarit racional, si
kusht i domosdoshëm i arsyes për ta njohur botën dhe planin natyror të natyrës. Ajo
konsideron se njohja mbi të vërtetën mund të perceptohet racionalisht duke e
përjashtuar nga çdo dyshim i mundshëm, që mund t’ia imponojë egoizmi i natyrës
njerëzore. Arsyeja, si perceptim i vëmendshëm ndaj njohjes së botës ndikon në
përsosjen e natyrës për ta kuptuar sa më drejtë e me paramendim logjikë, dhe
përfundimisht e shkëput psikikën njerëzore nga çdo dyshim i sajuar gabimisht.
Paraqitja e arsyes në sistemin tonë të të menduarit është akt i brendshëm psikologjik i
formësuar nga domosdoshmëria e vullnetit hyjnor për të shqyrtuar çdo thërrmi të
materies me konkludime të drejta. Kështu që, shqyrtimi i gjësendeve nëpërmjet arsyes
shpreh tërësinë e njohjes së sendit në natyrë duke ia dhënë ndriçimin e duhur të
rrjedhë sipas konkludimeve të drejta dhe të sigurta. Kjo njohje që shquan dukuritë dhe
fenomenet e ndryshme natyrore e shoqërore ndihmohet nga arsyeja, mirëpo, kjo
realizohet në zhvillim paraprak me mendimin racional i fituar nga njohuritë
sistematike shkencore, ku arsyeja rrit intelektin mendor gjer në shërbenin e mirë të
njerëzve, e bazuar në eksperiencën logjike të të menduarit të vetëdijshëm. Sa më
shumë që i njohim ligjet e natyrës që janë në varshmëri të plotë me përshtatjen e
ekzistencës njerëzore, d.m.th. nga plani i të menduarit racional, aq më tepër arsyeja
jonë zhvillohet drejt orientimit kah sistemi inteligjent i të njohurit të së vërtetës.
Kuptimi i njohjes së ligjeve të natyrës dhe universit bëhet nga autoriteti i arsyes, e cila
njëherit e zhvillon mendimin praktik për të nxjerrë gjykim të drejtë mbi lëvizjen e
natyrës dhe lëndëve në hapësirë. Pra, arsyeja ndihmon shumë në edukimin e mendimit
racional, se bota është e ndërtuar nga lëndët dhe lëvizjet. Njeriu sipas arsyes formon
gjykimin e sendit nga shkaku te pasoja duke e kuptuar si njohje praktike e së vërtetës,
e cila krijon më lehtë udhën drejt konkludimit të drejtë. Përfitimi i drejtë i njohjes së
sendit nëpërmjet sistemit të arsyes është kriter vlerësimi i sigurt që mundëson më
lehtë në shqyrtimet e rregullit të natyrës, si e drejtë natyrore e ndërtuar nga lëndët dhe
lëvizjet mekanike, të cilat veprojnë për ndërtimin dhe sistematizimin e ekzistencës
sipas një lëvizje absolute, që, krejtësisht ngjan të jetë i ndikuar nga vullneti i një
krijimi hyjnor. Koncepti i arsyes ndihmon të shquajë më lehtë pamjen e brendshme të
sendit, duke ia nxjerrë kuptimin e vërtetë të njohjes, për nga ku e kthjellon mendimin
mbi vërtetësinë e shkakut deri te pasoja. Sa më shumë arsyeja të kthjellohet ndaj të
njohurit të së vërtetës, aq më tepër shtohen idetë intelektuale, të cilat thellojnë njohjen
ndaj natyrës. Për t’u paraqitur arsyeja drejt konkludimeve të drejta ose që çon në
njohjet e sigurta, më parë duhet të ndikohet sipas një metode deduktive, që niset nga
shqyrtimet e përgjithshme duke vazhduar kah shqyrtimet e veçanta të njohjes së
sendit në natyrë. Kjo metodë shkencore arrin të shquajë sendin e natyrës nëpërmjet
gjykimit të drejtë duke e vërejtur në zhvillimin dhe lëvizjen inteligjente të sendit, të
rrjedhur në përfundimin logjikë shkencor. Arsyeja si aftësi intelektuale është e pajisur
me gjykimin kritik të të menduarit racional, ku kërkon me vëmendje njohjen
gnoseologjike të botës të bazuar sipas një mënyre intelektuale, e cila është fituar në
sistemin tonë mendor nga edukimi sistematik. Unë besoj se fati i njeriut varet nga
sistematizimi absolut i Zotit, i cili ka vënë rregullin ndërmjet botës reale dhe mistike,
mirëpo, arsyeja e kulluar në të shumtën e rasteve ndihmon në vënien e mendimit
gjyqësor, e aftë për të shmangur nga psikika të metën e veçantë, që mund të depërtojë
papritur brenda përvojave mendore. Në natyrë gjithçka ndodh sipas një paramendimi
të jashtëzakonshëm, e cila të jep përshtypjen se është e rregulluar nga sistemi i një
Zoti të përkryer, prandaj, dhe arsyeja ndonjëherë është e pafuqishme të parandalojë
një veprim të jashtëligjshëm dhe depresiv te njeriu. Sepse, jo gjithmonë, arsyeja
ndihmon në parandalimin e rrezikut thelbësor, por dhe mundëson thjeshtimin dhe të
kuptuarit e drejtë të sendit në natyrë, me qëllim për ta njohur të vërtetën e duhur gjer
në thelb, kështu duke pasur një ide krejtësisht të pavarur dhe inteligjente. Andaj,
veprimet e njeriut sipas planit të arsyes së kulluar janë të domosdoshme, dhe të prirura
për t’i njohur vetitë e brendshme të natyrës dhe lëvizjen e përkorë të universit.
Arsyeja e orienton gjithë planin tonë intelektual drejt mendimit racional (bon sens),
ku varësisht, në ç’mënyrë ne do ta diktojmë planin e arsyes krahas veprimit të
përgjithshëm për t’i njohur ligjet natyrore të natyrës, sepse në njëfarë mënyre, vetëm
natyra dhe universi sjellin preokupimin e arsyes sonë të diktohet pas njohjes së
lëndëve dhe lëvizjeve në hapësirë. Sa më shumë të diktojmë pamjen e brendshme të
arsyes në njohjen e sendeve në natyrë brenda nesh, aq më tepër do të ndikohemi në
njohjen e vërtetë të gjërave që na përkasin. Sepse natyra dhe ligji natyror, përpos që
njeriut i mundëson eksperiencën e njohjes së sendeve në natyrë, por dhe e shërben në
të mirën e arsyes duke e detyruar të veprojë kah e mira, dhe njëherit ia krijon
mundësinë për t’u shmangur nga shkatërrimi i jetës, që në realitet konsiderohet e
keqja. Vetëm një arsye e frymëzuar me sensin kritik të të menduarit të vetëdijshëm
mund t’i shquajë në thelb të mjaftueshëm fenomenet e kësaj bote, që shpeshherë sa
janë të ngathta, po aq janë dhe ironike. Një veprim pa logjikën thelbësore të arsyes së
pastër mund të jetë veprimi i mendjes së mangët, që pason me të meta intelektuale në
të vërejturit e qartë dhe sigurt të lëvizjeve të natyrës. Të vërejturit dhe njohja e ligjit
natyror është burim i arsyes sonë njerëzore, që domosdoshmërisht hyjnë në përbërjen
e ambicies së arsyes për t’i njohur lëvizjet ekzakte dhe natyrore të natyrës. Edhe pse,
tashmë ne dimë që lëvizjet e natyrës janë një rregull i rreptë që i argumentojnë
veprimet e ekzistencës sonë, duke e përshtatur veprimin tonë me lëvizjen e natyrës, si
një detyrim i njohjes së sigurtë të sendit në natyrë.