You are on page 1of 281

SHABAN SINANI

NJË DOSJE PËR KADARENË
(Studime dhe dokumente)

OMSCA-1, TIRANE 2005
Shaban Sinani
“Një dosje për Kadarenë”
(Studime dhe dokumente)

Parathënia nga Visar Zhiti dhe Luan M. Rama

Recensues: Naim Zoto
Luan M. Rama

Redaktor: Loredan Bubani
Çerçiz Loloçi

Kopertina: Nazmi Hoxha

“NJË DOSJE PËR KADARENË”
SI NJË ANTIVEPËR E SHKRUAR NGA TË TJERËT

- Libri dhe diktatura -
Siç duket, ashtu si vepra e madhe e shkrimtarit Ismail Kadare, që,
përveç vlerave mahnitëse artistike, gjithmonë e një rëndësie të
veçantë, madje dhe mbiletrare, duke u bërë ngjarje sa herë
botohej, që ka shkaktuar dhe shkakton, krahas gëzimeve
estetike, edhe tronditje, shqetësime nga më të ndryshmet,
letrare dhe jo vetëm të tilla, të moralit dhe të së drejtës, kritika
dhe diskutime të gjithanshme, acarim dhe kundërshti, frymëzime
për bëma qytetarie, forcë e mbi të gjitha emocion të bukur, të
pandërprerë, të atij lloji që jep vetëm arti (ndërkaq, nga
qendrimet që janë mbajtur dhe mbahen ndaj saj, ajo është
kthyer, në një farë mënyre, në tregues të shpalosjeve shoqërore
dhe mendësive të kolektivitetit, jo vetëm ndaj autorit, por dhe
realitetit dhe sistemeve të tij), po kështu na ngjan se, edhe
studimet që shkruhen dhe do të shkruhen për Kadarenë dhe
veprën e tij, sikur e kanë të shenjuar se duhet të mbartin
shumëçka nga zanafilla, nga rrënja e mistershme, nga objekti i
tyre poliedrik, gjithë vezullime e pasqyrime të habitshme, një lloj
ankthi pështjellues si ai i parandryshimeve, të parabetejave a të
vetë betejës; pra, nëse do të kenë në themel të vërtetat e hapura
dhe ato të padukshmet, krahas mbështetësve të shumtë, do të
shoqërohen nga ana tjetër edhe me një lloj frike ndaj të
vërtetave, me zhbërjen apo ribërjen ndryshe të tyre, po kështu
na duket se bukuria e madhërishme, bashkë me admiruesit, që
ishin edhe burgjeve, do të ketë patjetër edhe kundërsulmet,
shpesh të atyre që fusnin nëpër burgje, të institucioneve të tyre,
gjithnjë e më inatçore, të pabesa, marroke, të shëmtuara, të
pandërprera, tejskajshmërisht edhe jashtëletrare, të fshehta apo
gjysmë të fshehta, që s’dihet nga ç’bodrume të kohëve dalin,
ndoshta andej ku është shpërngulur komiteti qendror i partisë së
diktaturës së rënë e deri edhe nën shqytin e dobët e të ndryshkur
me emrin “ars” tani, me qëllime nga më të errëtat, jo vetëm
kundër veprës kadareane dhe ndaj atyre që e duan këtë vepër si
pasuri të përbashkët kombëtare, por dhe më thellë, goditje që i
bëhen kulturës sonë në përgjithësi, historisë dhe së ardhmes e
sidomos së tashmes, për t’i hequr asaj, sa të jetë e mundur,
shijen dhe qëllimin dhe integritetin universal.
Sidoqoftë, tani jemi përpara “një dosjeje” për Kadarenë, kështu e
ka quajtur autori i saj prof. dr. Shaban Sinani, por vepra që kemi
ndër duar i ngjan një triadhe, e cila në pjesën e parë paraprihet
nga një studim interesant e me kompetencë për Kadarenë, risinë
e tij si shkrimtar dhe simbolet e tij ballkanike, pasuar nga disa
intervista, dhënë në shtypin e ditës, ku autori u përgjigjet
çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë botim, pastaj
vjen çudia, ku s’ka më as kritikë e as letërsi: në pjesën e midistë
janë qëmtuar dhe grupuar një sasi dokumentesh të dikurshme
kundër letërsisë, pra, antishkrimet, survejimet në diktaturë të
partisë mbi letërsinë e Kadaresë, një “quasi-antivepër”, një
shtjellim i copërave të një kundërvepre, e parrokshme dhe e
paimagjinueshme: kontrolle çmendurake, censura, ndërhyrje
barbare, aq sa të duket se ajo, letërsia, do të duhej të shkruhej
nga shkrimtari dhe partia bashkë.
Prandaj Kadareja, në fund të fundit, është refuzuesi i pabindur, i
pandreqshmi, kurajozi dhe i mbushuri me neveri për ata, ndërsa
në vetvete ai është shkrimtari që kërkon të bëjë dhe bën art të
madh, të pavdekshëm, kur po vdisnin shumë gjëra të shtrenjta e
të virtytshme. Ai merret dhe ribën ikonën e Shqipërisë së
përjetshme, me dhimbje, kur ajo rrënohej, për t’u bërë ndryshe, e
bunkertë dhe e përçudnueshme, nga sundimtarët e rinj, të cilët,
përveç të tjerave, internonin shkrimtarë, i fusnin burgjeve, i
pushkatonin.
Në pjesën e tretë të librit, autori, përsëri me zellin e qëmtuesit,
me patosin e një studiuesi, me gjakftohtësinë dhe korrektësinë e
tij, mbi të gjitha me adhurimin për letërsinë e Ismail Kadaresë
dhe të vërtetat e saj të jashtme dhe të brendshme, bën një zbritje
danteske nëntokë, në ferr, dhe sjell dëshmi prej andej për
Kadarenë dhe veprën e tij, të shkruar nga shkrimtarë të burgosur,
që edhe pse kanë forcën e dokumenteve autentike, janë letërsi e
vërtetë dhe mrekullisht ajo dritë dhe ajo dhembje që mungonte
sipër, në ngrehinën e tmerrshme të komitetit qendror apo dhe në
selinë e lidhjes së shkrimtarëve të Shqipërisë, ajo dashuri që
është e domosdoshme për shkrimtarin, mbartet dhe sillet në këtë
vepër nga qelitë e burgjeve, pra, përthirren pas atyre telave me
gjemba, të rëna tani, të këputura, të kalbura, por që mund të
thuren dhe kurorë mbi ballet prej Krishti.
Po le të ndalemi në qendrën e kësaj “Dosjeje…”. Letrat këtu
kundër veprës letrare të Kadaresë dhe autorit vetë, të cilat
studiuesi Shaban Sinani ka pasur fatin t’i gjejë e t’i përzgjedhë,
falë dhe detyrës së tij si drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror, kanë
një kërcënim, atë të ndëshkimit, dhe kërkojnë forcërisht
miratimin e atij realiteti monstër, zbukurimin e dhunës së tij si të
ishte vetë liria; kërkojnë himnizimin e gënjeshtërt, prandaj ato,
letrat kështu, u ngjasojnë herë denoncimeve dhe herë fletëve të
arrestit, të bëra nga partiakë të lartë, të njohur dhe të panjohur,
të cilët asnjëherë nuk guxuan t’i botonin kur i paten shkruar,
qoftë dhe si recensa, kritika letrare, apo thjesht si fletë-rrufe të
kohës, por gjakonin labirinthshëm të mbërrinin majën, zyrën e
Zeusit, që ky pastaj të hidhte rrufe mbi kryepunëtorin e letrave
shqipe, por tirani, ashtu siç janë ndonjëherë trillanë diktatorët,
qëllonte që bënte dhe të kundërtën, ndodhte që ta shtynte për
më vonë gjëmën e kërkuar a ta hidhte mbi ata vetë, e ndërkaq
urdhëronte plojën mbi gjithë letërsinë në përgjithësi, mbi
prodhuesit e saj dhe popullin e lexuesve. Burgjet mbusheshin pa
pushim.
Me një histeri të ftohtë dhe absurd mizor letrat kundër veprës së
Kadaresë vërtet mbështjellin dëshirën për t’u mbajtur e pastër, e
përgjakura dhe e baltosura vija e parties; për t’u mbajtur e
pacënuar ajo që s’linte gjë pa cënuar, deri në çarje dhe në
rrënim:, ideologjia dhe politika sunduese, marksizëm-leninizmi i
tyre, të cilat i impononte një regjim egërshan, me forcën dhe
dhunën e një diktature të tmerrshme, që, sigurisht, në hapësirën
e perandorisë komuniste ishte më e egra në Europë; nejse, dhe
në shumicën e tyre ato letra janë dhe duan të ngjajnë si të tilla, si
pjesë e vigjilencës së partisë në pushtet, të së vetmes, madje
kulmi arrihet kur ato i shohim të ngulura mbi dorëshkrimin e
romaneve si një palimpsest i skëterrshëm, dhe teksa japin
alarmin kundër shtrembërimeve, tendencioze ose jo të tilla të
shkrimtarit, janë vetë shtrembërimi më i keq (janë shtrembërim
në vetë realitetin e jetës); kundër gabimeve ideo-politike, pa le,
edhe estetike, duke këmbëngulur për est-etikë të frikshme,
bizantine etj., sepse partia udhëheq kudo, edhe letërsinë; kundër
fajeve të njëpasnjëshme të veprës së shkrimtarit, që gjithsesi,
sipas letra-nxirësve, ishin të qëllimta, por letrat kanë brenda
ndërkaq dhe etjen për karrierë politike dhe letrare, shpalljen e
devotshmërisë shungulluese, besnikërinë fatale ndaj partisë në
pushtet, ideokracisë së saj diktatoriale; gjithashtu zbulohet dhe
xhelozia, hakmarrja, të përllogaritura me një inteligjencë të zezë,
sidomos nga kolegët, por edhe kur janë shkruara nga politikanët
e lartë të kohës dhe nga mediokrit e ndryshëm, smirëzinjtë dhe
djallëzorët, që kudo shfaqnin një trashësi vrastare; por, për fat të
keq, këto lloje letrash përndizeshin mynxyrshëm dhe merrnin
rëndësi të dorës së parë, bëheshin jo vetëm karburanti i makinës
së përgatitjeve të opinioneve të zeza, të propagandimit të tyre, të
shpërndarjes, dhe prishnin gjithë ekologjinë e mjedisit kulturor,
dhe më gjerë, dhe ndërhynin në ndryshime, jo vetëm të jetës së
autorit apo të lexuesit, por shpesh dhe më shpesh të gjithë
kolektivitetit, gjithmonë e më për keq.
Doktor Frojdin, shkruan një sociolog i sotshëm, kolegët e
denonconin te nazistët, natyrisht për politikë, por në fakt i urrenin
sukseset si shkencëtar i psiko-analizës. Pra, gjithë ky zell i
mbrapshtë dhe tejet i rrezikshëm, në një tjetër sistem shoqëror
nga ai nazistëve, në socializëm, aq shumë të ngjashëm me njëri-
tjetrin, përmbështillej te ne me zhguallin e luftës së klasave,
zhvilluar në një vend të vogël e të varfër, të rrethuar me tela me
gjemba, me armik gjithë botën.
Sa e vështirë ishte të ishe shkrimtar i vërtetë! Po i burgosur
politik? I dënuar i ndërgjegjes apo thjesht për faje artistike dhe
letrare? Si ishin humnerat? Ngjanin? Diktaturat bëjnë një lojë të
paimagjinueshme, kriminale, plot me befasira, marrin në ndihmë
vdekjen për të zgjatur jetën e tyre, sajojnë tragjedira më të rënda
se ato të antikitetit apo të Shekspirit vetë. Prandaj dhe nuk
lejohej më të ishe “shekspir”. Ndërkaq kritika botërore e
krahasonte Kadarenë tonë dhe me Shekspirin, me Tolstoin apo
me Kafkën, që po ta lexoje këtu, bije në burg.
Nëse do të ndieje brenda vetes shkrimtarin e vërtetë, në
diktaturë do të të duhej t’i përngjiteshe një lartësie
marramendëse dhe të mundimshme, më shumë se sa olimpike,
golgotiane, me kryqin mbi shpinë, që ta dërrmonte vertikalitetin,
jo vetëm të shpinës: gjithnjë e më shumë do të duhej të
ktheheshe në agjitator, jo në Mesi, ishte e ndaluar, e pamundur;
ndërsa, po të humneroseshe në të burgosur politik, do të bije në
një ferr të vërtetë tmerresh e asgjësimesh, do të ishe vetë
kufoma e kryqit të gjallë, i masakruar, do të të hiqej shpirti dhe
nuk të lejohej më të ishe njeri. As që duhej të guxoje të ëndërroje
për shkrimtarí dhe libra.
Po, po, kështu ka qenë, jemi gjallë vetë, por a duhet t’i kujtojmë
këto? Mos do të ishte më mirë të harrojmë? Harresa është
hakmarrja më e keqe, thoshte Borgesi. Të falësh nuk do të thotë
të harrosh, thotë Kadare. A na duhen libra të kësisojshëm? Mos
letërsinë duhet ta shohim siç është dhe jo qysh erdhi për t’u bërë
si e tillë? E kaluara shndërrohet dhe duhet shndërruar në përvojë,
ndërsa përvoja në ndërgjegje kolektive. Një popull që harron
është i destinuar të zhduket.
Së pari duhet ta dimë ashtu siç ka ndodhur. E vërteta ka nevojë
për të vërtetën, për vetveten siç qe. Historia është pjesë e gjallë
e së tashmes. Duhet të kujtojmë, të guxojmë ta kujtojmë edhe të
keqen, se ndryshe nuk çlirohesh dot prej saj dhe të bëjmë që të
punohet për të mos u përsëdytur, sepse ajo është gati gjithmonë,
përbindshmërisht, gjuan rastin dhe godet kur të mundë dhe sa të
mundë. Dhe ndoshta therorët e parë janë shkrimtarët.
Të mos-harruarrit është edhe ndëshkim ndaj së keqes.
Intelektuali i shquar Primo Levi, italiani ebre, i dënuari i nazizmit,
thoshte se ata që duan të harrojnë Aushvicin, kampin e
shfarosjes së njerëzve, janë gati për ta ribërë atë.
Shqipëria kishte “aushvicë” për njerëzit dhe për veprat. Tani, për
fat, kanë dalë dhe vepra të tjera të rëndësishme që i dëshmojnë
hapur ato, artistikisht dhe fuqishëm, të shkruara me shpirt ndër
dhëmbë, nga ata që u mbijetuan kampeve dhe burgjeve, por, kur
është zbuluar mrekullia, që në burg ka pasur dhe “letërsi burgu”,
e detyruar të ishte e tillë, e gjymtuar, fantazmë, ajo mjerisht më
shumë është nënçmuar se sa vlerësuar, sidomos tani, madje
shpallen dhe zhgënjime ndaj saj sikur autorët e prangosur të ishin
futur burgjeve, aq shpesh dhe me ndihmën e kolegëve, për të
shkruar dhe jo për të mos shkruar kurrë, ndërsa duhet ngulitur
mirë, më shumë në zemër se në mendje, se ajo letërsi e arrirë
burgjeve, me gjak dhe me tmerr, sfiduese gjithsesi, nderon në
përgjithësi gjithë racën e shkrimtarëve shqiptarë.
“Aushvici i njerëzve” kishte brenda dhe atë të veprave si rrathët
infernalë brenda rrathëve. Natyrisht dhe “aushvici” i veprave
përthithte njerëzit e tyre.
Jo vetëm që u dënuan autorë, ca përfunduan burgjeve dhe ca
ende më keq për të ardhmen, u bënë të realizmit socialist
shqiptar, dhe të tjerë u rroposën më thellë, u pushkatuan, u bënë
baltë, po edhe ndërgjegje e mëpastajme, por u dënuan dhe librat,
u harruan me qëllim, iu shkulën fletë, kapituj, mesazhe, u ndërhy
nga lart si futjet brutale në ëndërr, u ndaluan; ndërkaq u lartësua
mediokriteti, heroi pozitiv në letërsi si një monstër, mosletërsia,
mosjeta dhe paralel me to, burgoseshin libra në fonde të zinj
bibliotekash, të tjerë u grinë në makineritë e fabrikave të letrave
për t’u ricikluar sërish në kartë të bardhë sterile, u dogjën, u
zhbënë. Një masakër e vërtetë librash. Që, si të thuash, patën
fatin e njerëzve.
Pra, kishte një luftë të shpallur dhe të pashpallur mes diktaturës
dhe librit. Ku fitimtare ishte diktatura. Ashtu dukej. Qoftë dhe
përkohësisht. Ishim në kohën e saj.
Pas rënies së diktaturës, sipas meje, u pa se paskësh pasur “dy
letërsi”, që Lenini e teorizonte për “dy kulturat” në shoqëritë
borgjeze, por më e vërtetë ngjan të ketë qenë për sistemet
socialiste. “Letërsia e dytë” zakonisht shfaqet zotërueshëm pas
rënies së “letërsisë së parë”, asaj zyrtares, që ikën së bashku me
ndërrimin e sistemit.
Gjithmonë sipas meje, në Shqipëri ka ndodhur “fenomeni
Kadare”, i pangjashëm me letërsitë e vendeve të tjera, i
çuditshëm, i bukur dhe qendrestar. Se letërsia e Kadaresë vërtet
bashkëjetoi me diktaturën, aq gjatë, të dyja në kulmin e fuqive të
veta, por nuk u bë e saj e as u mposht prej saj, u bë vlerë
ndryshe, mbivlerë, për të gjithë shqiptarët, ushqim i vërtetë
shpirtëror, dhe arriti të çajë izolimin, duke u bërë dhe pjesë e
kulturës botërore, sipërane, nga më e mira.
Socializmit shqiptar, duke pasur në natyrën e vet kultin dhe
shtypjen, ndërkohë duke qenë dhe diktaturë e ashpër, ndërsa
rrafshonte në kulturë dhe art, i duhej një shkrimtar i madh dhe
përzgjodhi Kadarenë për ta shfrytëzuar, kurse Kadareja nuk e
zgjodhi diktaturën dhe as realizmin socialist, nuk i duhej fare
socializmi, por i shfrytëzoi gjithanshmërisht, i bëri temë, pa u
shërbyer në të vërtetë, dhe kjo është e vërtetë edhe nëse dikujt i
duket ndryshe, sepse ai i shërbeu vetëm e vetëm letërsisë së vet,
me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të lartë shkrimtari.
Më mirë të heshtej në diktaturë, mund të thotë dikush tjetër, por
heshtja nuk është letërsi, do të thosha unë.
Dhe, nëse kishte një ëndërr, një ideal në fillimet e veta, dhe, nëse
iu këndua çiltërsisht atyre, para përgjegjësisë historike dhe
morale duhet të vihen më parë ata që e prishën ëndrrën apo e
dhunuan idealin, që mashtruan, që pse s’ishin siç deshën poetët,
të cilëve ndërkohë duhet t’u jemi mirënjohës se edhe arritën të
na tregonin se ajo ëndërr s’bënte, ishte gabim, ai ideal po vriste
idealet e jetës etj., etj., dhe do të doja të shtoja se ne e kuptonim
se kurrë s’do të kishte qenë më mirë të kishim një të burgosur
më shumë mes nesh dhe një shkrimtar më pak atdheu,
pavarësisht se shteti bënte të kundërtën. Nëse do t’i kërkonim
shkrimtarit të bënte më shumë, duhej t’i kërkonim dhe diktaturës
të bënte më pak. Po ndryshe diktatura s’do të ishte diktaturë.
Kurse Kadare bëri të pamundurën, bëri mrekullinë si shkrimtar!
Ndërkaq shohim se vepra e tij i ngjan një beteje, një dueli
homerik, me oratori dhe kërcënime, me pauza dhe vërvitje
topuzësh, me mërira dhe … me gjak në gotën e verës festive …
me romane të vrara, poema të therura, elegji të heshtura … dhe
gjithsesi shihet se kundërshtari i shkrimtarit është një gjigand-
monstër, nxjerr koka të tjera përbindshmërisht, me brirë e gjuhë
zjarri dhe, duke qenë i detyruar të bashkëjetosh me të, s’të
mbetet gjë tjetër, veçse t’i ngulësh thikën e artit atje ku pak më
parë ishte ledhatimi apo ftesa për zbutje. Gjithnjë e më i
guximshëm shkrimtari, më i zymtë e më sublim.
Mallkueshmërisht nga perënditë për të qenë i pandreqshëm.
Shefat e mi, do të thoshte, s’janë ata të shtetit, por Eskili, Dante,
Shekspiri, Servantesi.
Dhe kur diktatura ra, kishte dhe plagët që i bëri asaj shkrimtari.
Ismail Kadare është ndoshta më i rralli në botë që del fitimtar mbi
diktaturën, pa u shqetësuar të shpallej si desident a kundërshtar i
saj, s’dua titull tjetër, thotë ai, veçse të shkrimtarit normal në një
vend anormal, dhe, ndërsa kacafytej me diktaturën
fantazmërisht, i kthente krahët sikur ajo të mos ishte, ulej mbi
skrivani dhe vazhdonte punën e nisur, para pesë mijë vjetësh, të
të shkruarit.
Pastaj të tjerat i ngatërrojnë të tjerët. Është koha kur hetuesit e
diktaturës shndërrohen në avokatë të demokracisë dhe ish-të
persekutuarit persekutohen ndryshe, qoftë duke ua mohuar apo
duke ua vjedhur persekutimin. Ndonjëherë, jo pa cinizëm,
persekutimi konsiderohet sot si privilegj … i porsarënë, ca duan
ta shquajnë si vlerë letrare (!?), por, gjithsesi, të paktën sot,
persekutimi them unë, është sa për të treguar se kush pati vlera
njerëzore, madje hyjnore si Krishti, kush si dy të kryqëzuarit e
tjerë biblikë bashkë me martirin e madh dhe kush sa xhelatët e
tyre. Ishte një betejë kundër jetës për jetën, duke mposhtur
frikën, humbjet, vuajtjet, gozhdimin, mosmirënjohja s’na bën më
përshtypje, kur të tjerët s’mundnin dot.
Dhe ky libër për këtë shërben, të hedhë dritë mbi ato terre, kur
dhunoheshin njerëz dhe vepra, në kohën kur përpiqeshin që
njerëzit të ishin njerëz dhe letërsia letërsi. Të çmbështjellë sado
pak enigma dhe ngatërresa të tilla vrastare.
Na duhen libra të tillë. Sapo kanë nisur.
Edhe vepra e Kadaresë na zbulohet hapur se është goditur, në
trysni dhe dhunë, me të çara dhe ka marrë plagë, prej të cilave
autori ka ditur ta bëjë më hijerëndë, pra, ka pësuar persekutim
ashtu siç mund të pësojë një vepër. Duke e rrëfyer këtë sot, jo se
po zbehet dhe as po shmanget persekutimi i madh i shumë e
shumë të tjerëve, i jetëve dhe i veprave të tyre heroike,
përkundrazi, po theksohet edhe më, duke shfetuar këtë “Dosje…”
hataja sikur bëhet ende më e qartë dhe duhet të besojmë se në
atë det të pamasë vuajtjesh njerëzore, të kalvarit dhe martirizimit
tonë, vjen dhe derdhet dhe një lumë: ai i veprave kadareane. Dhe
dihet, veprat janë shpirt dhe jetë.
Duke qenë më i larti, le të shërbejë dhe si maja e ajsbergut, për
të kuptuar më për së thelli të mbuluarën, ende të padalën,
llahtarin tonë të pamasë. Duke qenë triumfatori, me atë kemi
triumfuar të gjithë.
Gjenia e tij është dhe e kombit që e nxori.

Visar Zhiti

“PURGATORI” I KADARESË NË NJË BOTIM SHKENCOR

ISHTE VITI 2002 DHE NUK KISHIN KALUAR AS DY MUAJ NGA DITA E
FILLIMIT TË SHËRBIMIT TIM NË KRYE TË MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK, KUR,
NJË TELEFONATË PËRSHËNDETËSE E ISMAIL KADARESË PËR ÇFARË KISHIM
MUNDUR TË ARRINIM PËR BLLOKIMIN E TRAFIQEVE, SIDOMOS TË TRAFIKUT TË
QENIEVE NJERËZORE, MË SOLLI NË MENDJE NJË AMBICJE TË HERSHME:
HARTIMIN E NJË VEPRE MBI SJELLJEN E ATYRE INSTITUCIONEVE QË DIKUR
QUHESHIN “ORGANE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME” NDAJ
SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE.
PUNA PËR NJË KOHË RELATIVISHT TË GJATË SI GAZETAR MË KISHTE DHËNË
MUNDËSI TË NJIHJA SHUMË PREJ PROTAGONISTËVE TË TË DY PALËVE: TË
PERSEKUTUAR E PERSEKUTUES, TË REKRUTUAR NË SHËRBIME TË FSHEHTA
DHE REKRUTUES, SPIUNË E TË SPIUNUAR, VULLNETARË TË ZELLSHËM E TË
DEVOTSHËM DHE TË TJERË QË KISHIN QENË TË DETYRUAR TË PRANONIN
DETYRËN, ME NJË FJALË “VULLNETARË” TË PAVULLNETSHËM. NJË BOTË E
ÇUDITSHME, E MBUSHUR ME MISTERE DHE MBI TË GJITHA E MBUSHUR ME
“GJAHTARË TË SHPIRTRAVE NJERËZORË”.
DHE JA, UNË ISHA NË KRYE TË ASAJ MINISTRIE QË KISHTE PIKËRISHT
ARKIVIN KU DUHEJ DHE MUND TË GJENDESHIN DORËSHKRIME TË NDALUARA,
VEPRA TË BURGOSURA; TË SHKRIMTARËVE TË DËNUAR OSE TË PADËNUAR, TË
CILAT PËRBËNIN NJË LËNDË TËRHEQËSE PËR MUA, PËR TË MË SHËRBYER PËR
TË SHKRUAR NJË STUDIM MONOGRAFIK PËR LETËRSINË E NDALUAR DHE
RAPORTET E KRIJUESVE ME PUSHTETET NË PERIUDHËN KOMUNISTE.
NDËRSA KOHA SHKONTE ME SHPEJTËSI SIPAS KALENDARIT TË VET TË
PËRJETSHËM, GJITHNJË E MË SHUMË VËREJA SE, ME AQ LIRI SA MË
TEPËRONTE, NUK DO TË KISHA MUNDËSI TË MERRESHA ME KËTO
DORËSHKRIME NË TËRËSI. GJITHSESI, MUND TË BËJA DIÇKA MË TË
KUFIZUAR. SI E KANË PARË SYTË E POLICISË POLITIKE VEPRËN E I.
KADARESË? KJO PYETJE MUND TË ISHTE OBJEKTI I KËRKIMIT TIM TASHMË TË
NDARË NGA E PËRGJITHSHMJA.
I ENTUZIAZMUAR JO AQ NGA IDEJA, POR MË SHUMË NGA AJO QË PRISJA TË
ARRIJA, IA TRANSMETOVA KËTË ZGJEDHJE KADARESË. AI JO VETËM E PRITI
MIRË, POR DHE MË INKURAJOI. KJO ËSHTË NË GJË E RRALLË, QENË PAK A
SHUMË FJALËT E KADARESË. NJË MINISTËR I BRENDSHËM QË JO VETËM LEJON
TË TJERËT, POR PUNON VETË PËR TË BOTUAR DORËSHKRIMET E POLICISË
PËR SHKRIMTARËT - KJO ËSHTË MË SHUMË SE NJË ÇËSHTJE KULTURE, KJO
ËSHTË SHPREHJE E PËRPARIMIT TË MENDËSISË SHQIPTARE DHE NJË SHENJË E
MIRË PËR VENDIN.
KJO DASHAMIRËSI E SHKRIMTARIT ISHTE NJË NXITJE TJETËR PËR TA REALIZUAR
KËTË PROJEKT, I CILI, NË MENDJEN TIME, LIDHEJ EDHE ME NJË SYNIM
VETJAK PËR TË NDRYSHUAR PËRFYTYRIMIN PUBLIK PËR MINISTRIN E RENDIT.
GJITHNJË MË KISHTE SHQETËSUAR FAKTI QË, PËR RRETHANA TË NJOHURA,
FIGURA E MINISTRIT TË RENDIT SHIHEJ GATI-GATI SI NJË FIGURË E
DEMONIZUAR, QË PËR SHUMËKËND DUHEJ DOEMOS TË ISHTE ME PORTRET TË
NGRYSUR, ME FYTYRË TË ZEZË, RREPTËSISHT I NGRYSUR, KURRË I
BUZËQESHUR, QË TË TJERËT DUHEJ TA KISHIN FRIKË.
DUKE PASUR BINDJEN SE QENIA MINISTËR NUK TË BËN AS MË TË MENÇUR,
AS MË ME AUTORITET, POR THJESHT MË PËRGJEGJËS, E NDIEJA SI PJESË TË
DETYRËS SIME TA NDRYSHOJA SADOPAK KËTË PËRFYTYRIM, DUKE E
PARAQITUR MINISTRIN E RENDIT NË PUBLIK NË NJË PAMJE MË QYTETARE.
KJO INICIATIVË JAM I SIGURTË SE DO TË MË NDIHMONTE PËR TA ARRITUR
DHE KËTË QËLLIM.
KOHA RRODHI MË SHPEJT SE Ç’E KISHA MENDUAR. I DETYRUAR TË NDIQJA
PËRPARËSITË DHE URGJENCAT FUNKSIONALE, VEÇMAS LUFTËN KUNDËR
TRAFIQEVE DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR - NË FAKT PIKËRISHT NË ATO MUAJ
SHQIPËRIA U BË PËR HERË TË PARË NJË REFERENCË POZITIVE NË MJEDISET
NDËRKOMBËTARE PËR KËTË - ERDHI NJË DITË DHE SHËRBIMI IM NË KRYE TË
MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK MBAROI DHE THUAJSE NË TË NJËJTIN ÇAST
MENDOVA SE NDOSHTA E KISHA HUMBUR EDHE SHANSIN E REALIZIMIT TË
VEPRËS QË KISHA NË KRYE.
POR JA, TANI UNË KISHA NË TAVOLINËN TIME TË PUNËS NJË LIBËR TË
NGJASHËM, ME STUDIME DHE DOKUMENTE, TITULLUAR “NJË DOSJE PËR
KADARENË”, ME AUTOR STUDIUESIN SHABAN SINANI.
GJËJA E PARË QË MË SHKOI NDËRMEND ISHTE SE TË PAKTËN NJË VEPËR E
NGJASHME U SHKRUA, SIDO QË JO ME BURIMET QË UNË KISHA PASUR NË
MENDJE, POR ME DOKUMENTE PARTIAKE DHE TË NGJASHME ME TO.
MEGJITHËSE TË NJË KATEGORIE TJETËR, DOKUMENTET E KËTIJ LIBRI ISHIN PO
AQ ME KARAKTER POLICOR, SA DHE DOKUMENTET E POLICISË QË DOJA TË
KOLEKSIONOJA UNË KISHIN KARAKTER POLITIK. KISHA PËRPARA NJË VEPËR QË
KISHTE ANALOGJI ME PROJEKTIN TIM, PO, GJITHSESI, NUK E PENGONTE
ASPAK INICIATIVËN TIME, PËRKUNDRAZI, VETËM E RIPËRCAKTONTE ATË, DUKE
E LEHTËSUAR.
NGA KY LIBËR DEL SE KADARE KISHTE PROBLEME SERIOZE ME PUSHTETET JO
VETËM NË KOHËRAT KUR SULMOHEJ PUBLIKISHT, POR EDHE NË KOHË NË
DUKJE TË QETA, MADJE EDHE ATËHERË KUR VEPRA E TIJ FORMALISHT QUHEJ
“E VLERËSUAR”. KADARE ISHTE NË KONTROLL JO VETËM KUR GABONTE, KUR
NË VEPRAT E TIJ GJENIN “LAJTHITJE IDEOLOGJIKE”, POR EDHE KUR RASTISTE
TË SHKRUANTE “NË RREGULL”, DOMETHËNË SIPAS KËRKESAVE TË REALIZMIT
SOCIALIST. MUND TË DUKET E ÇUDITSHME, POR NGA DOKUMENTET SHIHET
SE AI ISHTE NËN MBIKËQYRJE EDHE KUR NUK SHKRUANTE FARE! DOKTRINA I
KËRKONTE SHKRIMTARIT T’IA PARACAKTONTE VEPRËS SË VET CILËSITË ASHTU
SI E DONTE AJO, POR KJO, PËR ARTIN E PAVARUR, ËSHTË PO AQ
PARADOKSALE SA DHE T’I KËRKOHET NËNËS PËR T’IA ZGJEDHUR CILËSITË
FËMIJËS PARA SE TË LINDË.
DUKE NJOHUR, PËRMES KËTIJ LIBRI, VETËM NJË PJESË TË NJË MALI TË TËRË
FAJESH DHE GABIMESH QË KANË RËNDUAR MBI SHKRIMTARIN, LEXUESI SHEH
SE, NË MOS FERRI VETË, PROCESI I SHKRIMTARISË PËR I. KADARENË KA
KALUAR PËRMES NJË PURGATORI TË VËRTETË. FERRI NDOSHTA GJENDET NË
ATË PJESË TË DOKUMENTEVE QË RUHEN NË ARKIVIN E MINISTRISË SË RENDIT
PUBLIK. NË KËTË PROCES I. KADARE ARRITI TË RUAJË TË PASHTREMBËRMUAR
KARAKTERIN E LETËRSISË SË TIJ. DUKE E DËSHMUAR KËTË, LIBRI MUND TË
QUHET NJË MODEL SE SI DUHET T’I SERVIREN PUBLIKUT BURIMET.
KU JANË ATA QË NUK IU NDANË SHKRIMTARIT PËR MË SHUMË SE TRI
DEKADA ME RADHË DHE NDOSHTA EDHE SOT VAZHDOJNË TË KËRKOJNË
GABIME E LAJTHITJE TË REJA TEK VEPRA E TIJ? “RRUGËS PËR NË THEQAFJE
KËTEJPARI I RANË”, THOTË MIGJENI. LE T’I LEMË NË FATIN E TYRE, SHËN
PJETRI DUHET TË KETË PUNË ME TA.
“NJË DOSJE PËR KADARENË” ËSHTË NJË VEPËR E SHKRUAR ME
BARASLARGËSI NDAJ FAKTORËVE POLITIKË E KULTURORË NË SHQIPËRINË E
DIKURSHME DHE NË ATË TË SOTME. PËRKUNDËR RËNDESËS MORALE QË
MBAJNË SHUMË NGA DOKUMENTET QË LIBRI PËRMBAN, VETË VEPRA E
AUTORIT ËSHTË SHKRUAR ME NJË QYTETARI DHE DISTANCË NGA DËSHIRA
PËR TË PENGUAR, NDALUAR, DËNUAR, NJOLLOSUR, DËRRMUAR. KJO ËSHTË
NË VEPËR QË U JEP MUNDËSI LEXUESVE TË SHOHIN SE SI BURIMET FLASIN
VETË. VETËM FAKTET JANË TË PAGABUESHËM DHE TË PALAKUESHËM.
OPINIONET DHE KONSIDERATAT EDHE MUND TË LAKOHEN. NË SHQIPËRI
MADJE LAKOHEN MIRË. PRANDAJ ÇMISTIFIKIMI I SË SHKUARËS NUK MUND TË
PRITET ME LOJËRAT “UL E NGRI” TË NJË AUTORI A NJË TJETRI,
MUNDËSISHT DUKE HYJNIZUAR NJËRIN DHE RROPOSUR TJETRIN, POR DUKE
ZBULUAR TË FSHEHTAT.
DËSHIRONI T’I BËNI NJERËZIT TË LIRË? JEPUNI FAKTE DHE BURIME DHE ATA
JANË TË ZOTË TË MENDOJNË VETË! HISTORIA DUHET TË FLASË ME GJUHËN E
VET, DUKE PËRFSHIRË EDHE HISTORINË E LETËRSISË. SIKURSE NA KA
MËSUAR NJË NGA KRYEPARËT E MENDIMIT NJERËZOR, CICERONI, DETYRA E
PARË E HISTORISË ËSHTË T’I SHMANGET GËNJESHTRËS; E DYTA - TË MOS E
FSHEHË TË VËRTETËN; E TRETA - TË MOS JAPË SHKASE QË TË DYSHOJNË
PËR ANËSI.
SHUMICA E DOKUMENTEVE TË KËTIJ LIBRI JANË SHPREHJE E NJË KLIME
KULTURORE QË SOT NUK MUND TË PËRFYTYROHET. POR LEXUESI KA NEVOJË
PËR KËTË PËRFYTYRIM, SEPSE, PËR NDRYSHE, RREZIKOHET TË MOS E
KUPTOJË AS LETËRSINË E ASAJ KOHE. KY ËSHTË NJË SHËRBIM I VLEFSHËM
PËR DIJEN DHE MENDIMIN SHQIPTAR.

LUAN M. RAMA
PJESA I

(STUDIME)
NË VEND TË HYRJES

Pesë vjet më parë, kur sapo kisha marrë detyrën e drejtimit të
arkivave të Shqipërisë, një prej gjërave që do të më bënte shumë
shpejt përshtypje ishte mungesa e fondeve arkivistike të
krijuesve të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Thuajse të
gjithë veprimtarët e lëvizjeve të mendimit të Rilindjes dhe të
periudhës mbretërore, madje edhe ata minorë, kishin fonde
personale në Arkivin Qendror Shtetëror. Ndërsa për shkrimtarët e
pasluftës nuk ekzistonte asnjë rast i tillë, me ndonjë përjashtim të
rrallë, si Petro Marko e Sterjo Spasse, të cilëve u ishin sekuestruar
dorëshkrime në redaksitë e revistave të kohës së mbretit ose në
raste dënimesh. Nuk kishin fonde personale as I. Kadare e D.
Agolli, as shkencëtarët më të shquar që u afirmuan pas luftës.
Në fillim pata menduar se kjo duhej të shpjegohej, në një farë
mënyre, me hierarkinë apo protokollin shtetëror komunist. Sipas
këtij “protokolli“, fonde personale mund të kishin vetëm njerëzit e
udhëheqjes politike. Fondi i E. Hoxhës, bie fjala, ishte më i
vëllimshmi në gjithë historinë e arkivistikës shqiptare, me mbi
250 mijë fletë. Pra, sipas arsyetimit tim të atëhershëm, fonde
personale mund të kishin vetëm ata që udhëhiqnin politikën,
ndërsa ata të letërsisë jo.
Ishte e pabesueshme për mua që shkrimtari I. Kadare nuk kishte
një fond personal në arkivat shqiptare. Isha në dijeni me kohë për
depozitimin e përkohshëm të dorëshkrimeve të tij në AQSH, po
ashtu dhe për rikthimin në një kohë të mëvonshme. Por mendoja
se gjithsesi autoritetet e shtetit duhej të kishin qenë aq të
kujdesshme sa për të ruajtur diku diçka nga shkrimet e Kadaresë.
Nuk do të kalonte shumë kohë dhe do të filloja ta ndieja veten në
një funksion të qortueshëm, sidomos kur studiues të huaj, që
vinin të bënin kërkime për fushat e tyre të zgjedhura, më
drejtoheshin, herë me shkrim e herë me gojë, “për t’i lejuar të
shihnin shkrimin e I. Kadaresë“. Jo, kjo nuk ishte e mundshme,
sepse shkrimi i Kadaresë nuk gjendej në arkiv! Ah, ashtu?! Po ku
gjenden dorëshkrimet e tij?! S’mund të thuhet saktësisht se ku,
mbase në arkivat e shtëpive botuese apo të shoqatave të
shkrimtarëve! Sa keq!
Në të vërtetë mungesa e fondeve të shkrimtarëve dhe artistëve
nuk mund të shpjegohej vetëm me “arsyen shtetërore“ të ruajtjes
së favorit të fondeve personale për udhëheqjen politike. Pak nga
pak do të njihesha me një realitet më të hidhur: arkivat e
krijimtarisë, prej fillimeve të hapjes deri në fundin e viteve 1990,
thuajse ishin zhdukur pa gjurmë. Shumë zhurmë bëhej për
arkivat e lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, por, në fakt,
dorëshkrimet letrare, që dorëzoheshin “pa të drejtë kthimi“ pranë
shtëpive botuese dhe redaksive të gazetave, duhej të ruheshin
atje. Dhe ato ndërkaq nuk ishin më. Dhe askush nuk fliste për to!
Kisha humbur çdo shpresë se mund të gjendeshin autoshkrime të
I. Kadaresë në arkivat shtetërorë, kur, në mjediset letrare të
vendit, afërsisht dy vjet më parë, nisi një debat për fatin e
poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“, e cila mendohej
pa dyshim e zhdukur një herë e përgjithmonë. Ky debat vuri në
epiqendër të vëmendjes arkivat, pavarësisht se pjesëmarrësit e
tij asnjëherë nuk komunikuan drejtpërsëdrejti me arkivat. Një
mosbesim i përgjithshëm sundonte kudo. Diskutohej vetëm për
ndonjë mundësi të rindërtimit të kësaj poezie. “Rindërtimi“ quhej
po ashtu e vetmja mundësi njohjeje dhe për diskutimet e
zhvilluara në mjediset politike dhe letrare në kohën kur ajo u hoq
në mesnatë nga shtypi.
Ishte shumë e thjeshtë t’u thuhej pjesëmarrësve në polemika: “Ju
nuk keni trokitur ende në arkiva“, apo të deklarohej se zhdukja e
arkivave të krijimtarisë kishte ndodhur vite më parë, në një
periudhë historike-politike të turbullt. Por ç’mund të dilte nga kjo?
Vetëm një formalizëm më shumë.
Mundet që poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“, që
shtypi dhe studiuesit e lirë po e kërkojnë gjithandej, të ruhet në
ndonjë formë në arkivat tona?! Do të mjaftonte vetëm kjo pyetje
për specialistin me përvojë të arkivave partiake dhe shtetërore
Kujtim Nako që brenda ditës të siguroheshim se “një poezi e
Kadaresë ruhej në arkiv“. A ishte kjo pikërisht poezia për të cilën
diskutohej? Në fund të ditës së dytë ne ishim të bindur tashmë se
poezia për të cilën debatohej ruhej në arkiv.
Ishin botuar, ndërkaq, dhjetëra artikuj, duke mbyllur çdo
perspektivë për gjetjen e veprës. Vendosëm të prisnim edhe ca.
Tashmë fiktiviteti nuk kthehej dot mbrapsht. A do të kujtohej
dikush që t’i drejtohej vetë arkivit për kërkimin e dokumentit? Më
në fund, ja ku vjen një kërkesë e kryeredaktorit të së përditshmes
“Gazeta shqiptare“ Arian Çani! Vendosa t’i përgjigjeshim
menjëherë po. E vetmja gjë që mbetej për t’u zgjidhur ishte që
fillimisht poezia t’i bëhej e njohur autorit, dhe doemos të
konfirmohej edhe leja e tij për botim.
Biseda (“e paragjykuar“) me I. Kadarenë për poezinë dhe lejen e
botimit, përkundër asaj që kisha menduar, qe shumë e shkurtër.
Koha kishte ndryshuar dhe, pavarësisht frymës kritike të rreptë,
poezia nuk shkruhej më si tek “Pashallarët e kuq“. A do ta njihte
Kadare autorësinë e saj? Dhe, a do të pranonte rikthimin e saj në
jetë pas më shumë se një çerek shekulli? Asaj poeme i ishte vrarë
“horizonti i pritjes“. Teoricienët e “recepsionit“ do ta këshillonin
autorin: Jo! Të paktën jo pa shënime shpjeguese kritike. Ajo poezi
ishte shkruar për një kohë tjetër! Tani lexuesi mund të mos e
njihte më anën dramatike të saj. Tani lexuesi mund edhe të
nënqeshte: Ama, çfarë sfide! Një vjershë thjesht antiburokratike,
qoftë edhe kundër burokracisë në krye të shtetit! Dhe ata të
udhëheqjes, si e kanë ndaluar, xhanëm?! Këto kisha menduar
dhe vetëtimthi kaloja nëpër mendje duke lexuar vargjet e para të
vjershës së sapogjetur, kur, pa mbaruar leximi i strofës së dytë,
Kadare tha se kjo ishte poezia e tij dhe se shtypi mund ta botonte
menjëherë. Ishte një qendrim tejet dinjitoz ndaj vetes dhe
njëherësh tejet mospërfillës ndaj ndryshimit të “horizontit të
pritjes“, që kishte vuajtur poezia.
Pikërisht me botimin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u
mblodh“ nisi projekti për përgatitjen e një libri me dokumente të
shpërndara andej-këndej nëpër fonde administrative për veprën e
I. Kadaresë. Kërkimet filluan duke veçuar fillimisht thuajse të
gjitha dosjet ku organet udhëheqjes së partisë së punës ishin
marrë me letërsinë dhe artet, në mënyrë të veçantë ato dosje ku
përmendeshin shprehjet “devijime ideologjike në letërsi e arte“,
“ndikime dekadente dhe shfaqje të huaja në zhvillimin e
letërsisë“, “probleme shqetësuese për zbatimin e vijës së partisë
në fushën e kulturës“, “mbi gjendjen në zhvillimin e letërsisë dhe
disa probleme të partishmërisë“ etj. Në fakt, thuajse në të gjitha
rastet kur në udhëheqjen e lartë partiake ishte diskutuar për
çështje të tilla, gjendej diçka për Kadarenë. Kështu, pak nga pak,
me ndihmën dashamirëse të disa prej arkivistëve më me përvojë,
të cilëve gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen time, nga disa tregues
anësorë u arrit deri tek dokumentet që dëshmonin vigjëlimin
politik mbi veprën e Kadaresë, ose më saktë tek një pjesë e tyre.
Titulli “Dosja K“ u shqiptua rastësisht, në mënyrë gati të
paparamenduar, gjatë një bisede miqësore me kryeredaktorin e
një prej të përditshmeve të mëdha të kryeqytetit. Pyetjes së tij
krejt të zakonshme se me ç’po merresha iu përgjigja me të
njëjtën shkujdesje, siç ndodh në çdo bisedë rastësore: “Diçka të
ngjashme me ‘Dosjen H’, veçse në librin tim nuk do të ketë
etnologë të ardhur nga Irlanda, por do të ketë dokumente për
fatin që ka përjetuar vetë letërsia e I. Kadaresë gjatë periudhës
ideokratike“. Kaq do të mjaftonte dhe pas dy ditësh në gazetën
“Shekulli“ libri im do të pagëzohej gati në mënyrë të
pandryshueshme: “Dosja K“.
Një dosje për Kadarenë sigurisht që përbënte një iniciativë të
vështirë. Duheshin bërë të qarta në mjediset kulturore dhe
shkencore ku rrojmë se ky libër nuk kishte qenë i gatshëm në
arkiv, por ishte dashur të kërkoheshin dokumente në dhjetëra
fonde dhe në qindra e mijëra dosje. Duhej treguar, në një farë
mënyre, se ç’punë e vështirë kërkohej në procesin e kalimit prej
atyre që francezët i quajnë “meta-donnes“, para-të-dhëna, deri
tek vetë të dhënat, dokumentet. Duhej shpjeguar se këto
dokumente ishin krijuar në radhë të parë nga zyrat partiake dhe
shtetërore të ngarkuara me zbatimin e vijës politike dhe
ideologjike në letërsi dhe jo nga agjentë të zakonshëm të policisë
së fshehtë. Duheshin dhënë argumente për ligjshmërinë formale
të hartimit të këtij libri, duke marrë në vlerësim ndalimet që
përmbajnë ligjet për arkivat dhe çfarë standardesh analoge ka në
vendet e qytetëruara për raste të tilla.
Të gjitha këto u bënë të njohura për publikun para botimit të këtij
libri, në një varg intervistash, të cilat janë pjesë e tij, prandaj nuk
do të ndalem gjatë.
Në projektin fillestar të këtij libri ishte menduar që pjesa e parë të
kishte një shtjellim relativisht të gjerë teorik dhe analitik të
raporteve të letërsisë me politikën, të lirisë shtetërore dhe të asaj
individuale, të kontrollit publik dhe të kontrollit të fshehtë mbi
letërsinë e I. Kadaresë në periudhën komuniste. Edhe kjo pjesë
me kohë doli e nevojshme të reduktohej, sepse për këto raporte
u diskutua gjerësisht gjatë fazës përgatitore. Autori nuk ka
ndryshuar qendrim sa u takon pohimeve që ka bërë në shtyp në
procesin e përgatitjes së këtij libri, prandaj këto pohime botohen
të plota në pjesën dialoguese të tij. Në këtë formë ato janë më të
komunikueshme për lexuesin.
Duke vërejtur se lënda dokumentare e disponueshme për pjesën
e dytë të librit ishte shumë e vëllimshme, doli e nevojshme të
zbatoheshin disa kritere: 1. Të mos përfshiheshin në botim
dokumentet e “zonës parashkencore“: letrat dhe kritikat
anonime, të “lexuesve nga populli“; 2. Procesverbalet e
diskutimeve në udhëheqjen politike partiake, të cilat shpesh
numëronin qindra fletë, të mos botoheshin integralisht, por
vetëm fragmentet që bënin fjalë drejtpërsëdrejti për veprën e
Kadaresë; 3. Disa dokumente që përsëritnin njëri-tjetrin të
botoheshin me përzgjedhje tipologjike (vetëm për romanin
“Koncert në fund të dimrit“ ruhen mbi gjashtë recensione); 4.
Gjithashtu dilte tej qëllimit të këtij libri kërkimi i dokumenteve në
arkiva të tjerë, si arkivi i sistemit të ministrisë së rendit, arkivi i
sistemit të shërbimit informativ shtetëror. Në këto arkiva mund të
ruhen dokumente të një tipologjie krejt tjetër, dokumente të
krijuara prej “organeve të diktaturës së proletariatit“, të cilat do
të ishin objekt i një kërkimi më vete; 5. Në përzgjedhje do të
ruhej ekuilibër shkencor, duke mos përjashtuar nga tekstet për
botim edhe ato raste tejet të rralla, kur për letërsinë e I. Kadaresë
kishte ndodhur që ishte diskutuar me dashamirësi. 6. Disa burime
joarkivore të bëheshin pjesë e dosjes, por vetëm në rastin kur
zbulonin të panjohura që lidhen me të shkuarën dhe që tërthorazi
konfirmohen me burime të shkruara. 7. Të mos pretendohej për
një shterim të të gjitha burimeve, pasi asnjëherë nuk mund të
pohohet një gjë e tillë.
Dokumentet janë vendosur në renditje kronologjike. Në ndonjë
rast, kur dokumentit i mungon data e saktë, vendosja është bërë
në kronologji të krahasueshme. Në përgjithësi burimet arkivore
janë dokumente të pabotuar, kritikë e fshehtë, e porositur apo e
shërbyer ndaj udhëheqjes, në rastin më të mirë në emër të
detyrës. Në kuptimin arkivistik, ato janë akte administrative, të
krijuara në përmbushje të funksionit shtetëror apo partiak e sipër.
Për këtë shërbim nëpunësit kanë marrë paga apo honorare, pra,
është një punë e shpërblyer. Nga rregulli i “dokumentit premierë“
bëjnë përjashtim vetëm dy-tre prej tyre, të cilët në Shqipëri kanë
qenë të panjohur, pavarësisht se mund të kenë qenë botuar më
parë jashtë vendit.
Synimi i këtij libri nuk është të lartësojë e të nxijë, të zbardhë e të
fshijë. Ai është hartuar për një qëllim të vetëm: të certifikojë një
proces mjaft të ndërlikuar dhe thuajse të pakuptueshëm për një
brez të ri që rritet në kushtet e luksit të lirisë së mendimit, por po
ashtu edhe për shoqëritë e lira në Perëndim, të cilat kanë njohur
në kohë të ndryshme qendrimin publik të autoriteteve shtetërore
dhe partiake ndaj I. Kadaresë, por ndoshta, si shumëkujt, duke
përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, nuk u ka shkuar në
mendje se ka ekzistuar edhe një qendrim kritik i fshehtë, i
panjohur, një mbulim tërësor, nga shumë sy e veshë, prej
nëpunësish të ngarkuar funksionalisht për vigjëlimin në fushën e
letërsisë. Në kuptimin përmbajtësor, kjo është dosje e
dokumenteve të krijuar prej partisë. Dhe partia nuk vigjëlonte për
veprat e parashikuara në nenin e agjitacionit e propagandës, por
për ato vepra që rrezikonin të ndikonin në mendimin shoqëror të
kohës, të krijonin klimë dhe autoritet në shoqëri, të bëheshin
vatër vëmendjeje që mund ta largonte njerëzinë nga “politika në
plan të parë“ dhe mendimi politik i udhëheqjes. Libri është një
shërbim modest ndaj së vërtetës. Jo të gjitha të vërtetat na
pëlqejnë, por edhe e vërteta më e hidhur, e mbajtur fshehtë,
bëhet e rrezikshme. Nuk jam i sigurt se cili nga shenjtorët është
shprehur: “Të shpifësh, të lajkatosh, të krijosh të vërteta të rreme
është e dënueshme, por po aq e dënueshme është të heshtësh
nëse di të vërtetat vetë“.
Duke synuar që botimi i këtij libri, përmes pohimit të disa të
vërtetave të heshtura, të ndikojë modestisht për të kuptuar më
mirë të shkuarën e zhvillimeve letrare, por edhe për të
shëndoshur klimën e sotme në kulturë, duke ekzorcuar prej saj
një prej pjesëve më lënduese që ka trashëguar, njëherësh,
ndonëse me mjaft shtrëngesë, kemi bërë përpjekje që të mos
shkaktohen lëndime të reja. Kjo puna e lëndimeve mund të
ndodhë jo vetëm sepse pjesë të shoqërisë shqiptare janë të
çinteresuara për problemet që përmban libri dhe maksimalisht të
vëmendshme ndaj emrave të përveçëm, shprehje e një dëshire të
heshtur për t’i personalizuar çështjet dhe e kulturës së provincës,
ku thashethemi përbën ngjarjen e ditës, gjë që do të shkaktonte
zhvlerësimin tërësor të librit. Kjo mund të ndodhë gjithashtu edhe
sepse lexuesi i sotëm, i rritur në kushtet e lirisë, mund të
përjashtojë kontekstin e kohës dhe mund të mos jetë i përgatitur
për të ndarë përgjegjësinë vetjake nga ajo e shoqërisë së
mbyllur. Për këtë arsye, burimësia e dokumenteve është
identifikuar në format më teknokratike që njihen në botime të
tilla: me tregues të saktë arkivistikë-burimorë, në emrin e zyrës
apo institucionit që e ka krijuar, në ndonjë rast me inicialet e
funksionarëve që kanë nënshkruar, por më shpesh edhe me
emrat e plotë të nënshkruesve. Ky nuk është një favor për të
lehtësuar autorët e këtyre dokumenteve, të cilët, me që ra fjala,
nga pikëpamja e vlerësimit shkencor-kritik, në shumicën e
rasteve nuk kanë shkruar lajthitje, madje kanë vërejtur në thellësi
mospajtimin e veprave të Kadaresë me kornizën e realizmit
socialist, pavarësisht se, në anën tjetër, me gjithë realizmin dhe
respektin për kushtet e “shoqërisë së sekretit“, në të cilën kanë
jetuar e shërbyer, nuk kanë, gjithsesi, mbulesë morale, sidomos
në rastin e zelleve dhe iniciativave të drejtpërdrejta të tyre. Në
një kohë të mëtejshme, kur në jetën intelektuale të shoqërisë
shqiptare do të ketë më shumë qetësi dhe një mendësi hapjeje,
deri tek pranimi i së keqes dhe përjashtimi i saj, deri tek
mospërdorimi i së shkuarës për të ndërtuar pikë-ndikimi të reja,
këto dokumente mund të botohen në plotninë e tyre.
Gjatë afro pesë vjetëve që drejtoj arkivat e Shqipërisë kam pasur
dy privilegje. I pari privilegj është njohja me traditën e shkrimeve
të krishtera në hapësirën shqiptare, prej mesit të shekullit të 6-të
e në vijim, çka më dha mundësinë të përgatis monografinë
“Beratinus“, e cila shpresoj se do të jetë një pavion i ri në
kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar. Hartimi i kësaj
vepre ishte një punë për kënaqësi, me karakter thellësisht
promovues. Privilegji i dytë është përgatitja e librit “Një dosje për
Kadarenë“. I konsideroj privilegje sepse jam i bindur se, duke i
kërkuar burimet për këto dy libra si një studiues i lirë, do të më
ishte dashur shumë më tepër kohë dhe mund për të pasur lëndën
në tryezë. Këto dy privilegje, gjithsesi, nuk i janë bërë pengesë
askujt për një nismë paralele dhe ndoshta edhe më të
suksseshme. Sa i takon privilegjit të dytë, duhet të saktësoj se ka
qenë i rëndësishëm për mua të shkruaj një libër të vlefshëm.
Libra të tillë shpesh shkruhen për përgjegjësi qytetare, si detyrë
apo shërbim ndaj kulturës së vendit, dhe unë shpresoj që si i tillë
të lexohet. Për të përmbushur këtë përgjegjësi kam pasur në
vijimësi ndihmën e zëvendësdrejtores së Arkivit Qendror
Shtetëror prof. dr. Kaliopi Naska, si dhe të përgjegjëseve të dy
sektorëve të përpunimit, znj. Dhurata Krutani e znj. Vera Dode, të
cilave u shpreh me këtë rast falënderimet e mia. Po ashtu, ndiej
të nevojshme të falënderoj të gjithë ata që, përkundër një prirjeje
të njohur për t’i lënë gjërat siç janë, më kanë inkurajuar të hap
këtë dritarezë për të parë në mënyrë prapavajtëse raportet e
errëta midis letërsisë dhe pushteteve.
Ndërsa shkruaja këto radhë të fundme të këtij libri, që shkrimtari
Visar Zhiti në mënyrë shumë domethënëse e cilëson “antivepër”,
për një çast më erdhi në mendje monologu i një prej
personazheve qendrorë të veprës së Kadaresë: “Merrni, jua
solla!” Jo, nuk ishte thjesht një terren i vështirë. Ishte një kënetë
e përbaltur, e shtrirë në kohë dhe në vite, shumë vite ujëra të
ndenjura. Unë dola që andej. Nuk e di në dola i përbaltur prej asaj
pjese të llumtë që isha i detyruar të prekja. Në kam shpëtuar,
gjysma e meritës padyshim u takon lexuesve të mi, mendjeve të
zhvilluara, që dinë të ndajnë mirë përgjegjësitë në marrëdhënien
mijëveçare që rregullon punët e artit: tekst, kontekst dhe
audiencë. M’u desh domosdoshmërisht t’i vë një për një
dokumentet e këtij libri në një raport të tillë, në një marrëdhënie
tripalëshe, siç e ka përcaktuar protagonisti i vërtetë i “Dosjes H”
Albert Lord, si një filter antitoksik për lexuesin, që kohën nuk e ka
njohur e dorëshkrimet s’i ka parë.
Mbijetesa e dokumenteve origjinale, që lidhen me nyje tejet të
rrezikshme të historisë së afërme të Shqipërisë, qofshin këto në
letërsi, në aktet administrative apo përgjithësisht në diplomatikë,
nuk mund të jetë e rastit. Në romanin e tij të shkëlqyer “Arka e
djallit“ Dritëro Agolli ka krijuar personazhin që ka në psiko-tipin e
tij shkatërrimin e gjurmëve të historisë, djegien e “sëndukut” të
letrave. Kur e kam lexuar disa vjet më parë këtë roman kam
përjetuar një ndjenjë tmerri, duke qenë nën shoqërizimin e idesë
se ndoshta nuk bëhet fjalë për një psiko-tip, por për një etno-tip.
Mirëpo puna në arkivat e Shqipërisë më ka mësuar se njeriu
shqiptar ka në gjeno-tip, ndoshta, më shumë ndjenjën e ruajtjes.
Kjo përvojë përditë e më tepër më çon drejt bindjes se asgjë e
rëndësishme në dokumente nuk humbet.

Dhjetor 2004
“PROGRAMI“ KADARE - NJË DRITARE MES DY BOTËSH

Në një studim të vitit 1945, që mbeti i pabotuar deri vonë, duke
shqyrtuar me metodë krahasimtare rrugën e zhvillimit historik të
romantizmit në Europë dhe pastaj në vendet ballkanike (“filloi
këndej kur në Perëndim ishte shuar”), prof. E. Çabej arrin në
përfundimin se letërsia shqiptare përgjithësisht është zhvilluar si
“letërsi mërgimtarësh”. Ky përcaktim duket se në studimet
letrare është parë si një e dhënë rastësore, pa ndonjë rëndësi të
veçantë, si një shënim i vlefshëm për të treguar rrethanat
gjeografike të lindjes dhe përparimit të kësaj letërsie. Çabej e
kishte shtruar edhe një herë tjetër këtë çështje, kur u mor me
antinominë “vatër dhe botë” në poezinë e De Radës. Rimarrja e
këtij raporti nga një dijetar i tillë, tek i cili edhe përsëritja ka vlerë
shkencore, duhej të kishte krijuar shqetësim për studimet e
historisë së letërsisë kombëtare.
Janë të shumta pyetjet që mund të lindin prej kësaj vërejtjeje nga
më kritiket për rrugën e zhvillimit të kulturës së vendit.
Ç’kontekste historike kanë bërë që letërsia shqipe të krijohet
kryesisht jashtë truallit kombëtar? A ka të bëjë ky fakt me ndonjë
specifikë të etnopsikikës shqiptare, me ndonjë veçori të mjedisit
vendës, apo gjërat janë fare të thjeshta dhe mund të shpjegohen
me arsyetimin popullor se “shqiptarët bëjnë emër vetëm kur
gjenden në dhé të huaj”? A është ky një fenomen kulturor i
izoluar për rastin shqiptar apo vërehet edhe në letërsi e kultura
të tjera? Në mënyrë të pashmangshme, nëse do ta pranojmë
frymën kritike si kusht të mendimit shkencor, do të vijë edhe
pyetja e fundit, në të cilën kujtoj se gjendet thelbi i problemit që
përmban pohimi i Çabejt: A ka lidhje konstatimi i tij me raportet
“kulturë metropolesh - kultura periferike”, me rolin dhënës e
marrës të letrave shqipe? Apo hapësira shqiptare e kufizon
dhuntinë e krijimit?
Me të drejtë këtu mund të shtrohet pyetja se ç’nevojitet gjithë ky
parashtrim kur në krye studimi premton thjesht të tregojë vlerën
e veprës së I. Kadaresë për afirmimin kombëtar e ndërkombëtar
të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Të themi, si fillim, se vërejtja
e Çabejt nuk përbën kurrfarë qëllimi më vete dhe se nëpërmjet
disa fakteve do të shihet se ajo mund të ndihmojë shumë si
kontekst e premisë mendimi për ta parë këtë vepër si përmasë
ndërkombëtare të letërsisë kombëtare. Në anën tjetër, doemos
duhet të përjashtojmë paraprakisht që gjendja e tanishme e
Kadaresë “midis Tiranës dhe Parisit” mund të ketë qenë si nxitje
për të filluar nga pohimi i Çabejt. E vërteta është se vepra e
Kadaresë është shkruar në Shqipëri dhe pastaj ka shtegtuar
nëpër botë, ndryshe prej zhvillimeve të mëparshme, që njohin
prirjen e kundërt.
Për një kohë të gjatë, qysh prej fillimeve të Rilindjes Kombëtare,
figurat më të ndritura të letërsisë shqipe i kanë krijuar e botuar
veprat e tyre në mërgim. Frashërllinjtë punuan në Stamboll dhe
botuan në Bukuresht. De Rada i parapriu Rilindjes me poemat e
tij në Itali. Çajupi punoi Mitkon në Misir dhe pranë tyre Pashko
Vasa. Konica shkroi në Bruksel e në Washington, kurse Noli
pothuajse të gjitha veprat e tij të mëdha i krijoi “mbas syrgjynit”,
duke u endur kryeqyteteve europiane. Koliqi u realizua si figurë e
plotë e letrave në Romë. Një shumicë autorësh parësorë të botës
sonë letrare, për të shprehur vetëdijen e tyre atdhetare e
artistike, kanë qenë të detyruar të shkruajnë në gjuhë të tjera me
njohje më të gjerë. Edhe në kohërat e mëvonshme, të paktën
pjesërisht, letërsia shqipe vazhdoi të mbetet “letërsi
mërgimtarësh”: me Camajn në Gjermani dhe Resulin në Itali, me
Isuf Luzin në Amerikë dhe emra të tjerë të njohur, si dhe një varg
letrarësh të një rendi tjetër, të cilët, përgjatë një procesi rinjohjeje
në atdheun e tyre, po e plotësojnë mozaikun e kulturës
kombëtare.
Vepra e I. Kadaresë, me marrëdhëniet që vendosi më botën,
ndryshoi dy gjëra themelore në prurjen e mëparshme të historisë,
në traditën e letërsisë shqipe si “letërsi mërgimtarësh”. Së pari,
krijoi dukurinë e letërsisë shqipe si letërsi dhënëse të zhvilluar
përjashtimisht brenda vendit dhe në gjuhën amtare. Kjo
pothuajse nuk kishte ngjarë ndonjëherë më parë. Shumë vepra
që njerëzit shqiptarë të letrave i kanë krijuar si ura me kulturën
botërorë as sot nuk gjenden në shqip (“Kamus-al-alam-i” i
Samiut, për shembull). Ka një ndryshim serioz midis bashkësisë
së shkrimtarëve paraardhës dhe Kadaresë po të merren në
vështrim raportet “vatër-botë”. Shkrimtarët e mëparshëm jetuan
e krijuan nëpër botë dhe shfrytëzuan jo vetëm mundësitë
teknike, por edhe gjuhët e mjetet e tjera shprehëse të atyre
kulturave të mëdha që i kishin mundësitë e ndërmjetësimit për
afirmim në shkallë më të gjerë. Kadare e shkroi gjithë veprën e tij
letrare në kryeqytetin shqiptar, në gjuhën amtare. Të gjitha
përkthimet e tij pa përjashtim janë jo botime, por ribotime, mbas
kalimit prej shqipes në gjuhë të huaj. Nuk ka ndonjë vepër të
Kadaresë për të cilën lexuesi i vendit të ketë qenë i detyruar të
presë përkthimin e saj prej ndonjë gjuhe të huaj në shqip. Vetë
Kadare ka qenë këmbëngulës deri në ditët e sotme që lexuesi
shqiptar të jetë audienca e parë e letërsisë së tij. Dihet se në vitet
1980 ka pasur disa iniciativa franceze për botimin e
“Përbindëshit” në versionin e plotë, por autori e dha pëlqimin
vetëm pas rishtypjes së librit në shqip.
Me këtë lidhet edhe tradita e dytë që ndryshoi Kadare me veprën
e tij: ai ndryshoi vetë konceptin e fenomenit kulturor shqiptar. Në
studimet historiko-letrare, kur është folur për marrëdhëniet e
kulturës sonë me atë botërore, për të theksuar rolin dhënës të
saj, janë përmendur shumë figura që kanë bërë emër në botë,
qysh prej arkitektëve të shquar të mesjetës dhe veprave të tyre
të ngritura në kryeqytete të Lindjes, deri tek A. Moisiu, vëllezërit
Belushi, Nënë Tereza e të tjerë. Pa dashur të ndyshojmë gjë në
vlerësimin e merituar të këtyre figurave është me vend pyetja: a
duhet bërë një dallim midis tyre dhe fenomenit Kadare? Po të
shihet jo vetëm prejardhja e tyre e njëjtë etnike, por edhe nga
karakteri i trashëgimisë që i kanë lënë popullit të tyre, është
vështirë të thuhet se kanë qenë në të njëjtën shkallë edhe
fenomene kulturore shqiptare. Nëse për veprën e Kadaresë as që
mund të shtrohet çështja se çfarë fenomeni kulturor është, sepse
ajo është shqiptare në lëndë e në formë, nuk mund të thuhet e
njëjta gjë edhe për rolet që kanë luajtur Moisiu apo Belushët, për
misionin human që ka marrë përsipër Nënë Tereza etj. Në rastin e
dytë neve na mbetet të mburremi me origjinën e tyre dhe të
çmojmë rëndësinë e tyre si dukuri të kulturave të mëdha,
gjegjësisht gjermanike, atlantike, kristiane-humaniste.
Vepra e Kadaresë mbërriti në kryeqendrat e kulturës botërore
duke u nisur nga një studio e zakonshme në Tiranë, u zhvillua si
letërsi kombëtare dhe pastaj tërhoqi vëmendje ndërkombëtare.
Kadare e ndryshoi raportin tradicional “kombëtare -
ndërkombëtare” me krijimtarinë e tij. Kjo krijimtari u bë rruga e
afirmimit të gjithë kulturës shqiptare dhe përfundimisht hoqi
kompleksin e fatalitetit të hapësirës mbi krijuesit shqiptarë, duke
provuar se trualli i tyre etnik jo vetëm që nuk përmbante ndonjë
kufizim, por mund të ishte një faktor frymëzimi për art. Kadare
tregoi se është e vërtetë që kryeqendrat e kulturës botërore
mund të pushtohen nga brenda, duke përdorur gjuhët e tyre,
dukë u marrë me historinë e tyre - edhe vetë ai e provoi këtë
rrugë dhe ia doli mbanë, “e mundi Parisin” - por është më e
rëndësishme të pushtohen nga jashtë, me gjuhë të vogla popujsh
të vegjël. Ai u njoh në botë jo thjesht si një shkrimtar i madh, por
më së pari si një shkrimtar i madh shqiptar.
Letërsia shqipe, si letërsi e një populli të vogël, ka qenë dhe do të
mbetet për një kohë të gjatë me karakter marrës. E keqja është
se, në mjaft raste, edhe kur potencialisht ajo e ka arritur shkallën
dhënëse, nuk është bërë kujdesi i nevojshëm për të komunikuar
me botën. Baladat popullore shqiptare edhe sot e kësaj dite
njihen si serbe vetëm pse V. Karaxhiqi i botoi më parë të
përkthyera në gjuhët evropiane. Në atlaset gjeokulturorë të
Ballkanit e më gjerë zërat që i takojnë botës shqiptare plotësohen
prej dijetarësh të huaj, ndërsa dijetarët e vendit bojkotojnë
vetveten. Për herë të parë pas gati pesë shekujsh, qysh prej
Marin Barletit, në gjysmë shekullin e fundit përkthimi i veprave të
një autori shqiptar u bë dukuri ndërkombëtare dhe vëmendja e
metropoleve kulturore u tërhoq në marxhinalet. Praktikisht
Kadare e bëri letërsinë shqipe një letërsi të denjë të
bashkëbisedojë me letërsitë metropolitane. Me “programin
Kadare” kultura shqiptare arriti ta lexojë qytetërimin perëndimor.
Italo-shqiptari K. Marko besoj se gabon me vetëdije, me qëllim që
fryma e tij kritike të zërë vend dhe të krijojë një efekt të ashpër,
kur pohon të kundërtën.
Me veprën e Kadaresë kultura shqiptare u paraqit si kulturë e
denjë për të qendruar në metropole. Eshtë për t’u kujtuar se
njohja ndërkombëtare e veprës së tij filloi me botimet në vendet
perëndimore, kryesisht në Francë dhe pastaj nëpërmjet gjuhës
frënge edhe në vende të tjera. Këtë fazë të rritjes letrare të
Kadaresë e ka paraqitur në mënyrë të kujdesshme qysh prej më
se 20 vjetësh dr. Ymer Jaka me librin e tij “Lidhjet shqiptaro-
frënge në letërsi”. Vetë afirmimi i letërsisë së Kadaresë njohu një
proces ku vihen re disa të dhëna mjaft interesante. Deri tani nuk
është bërë objekt studimi çështja se përse triumfi i Kadaresë në
botën e Lindjes është relativisht i vonët, ndërsa, përkundrazi, në
Perëndim u përthith më herët. “Dimri i madh”, një vepër që duhej
të kishte zgjuar kureshtjen e lexuesit rus, u përkthye dhe u botua
nga Valeri Modestov vetëm pas deklarimit të “gllasnostit”, madje
edhe në këtë rast botuesi qe i detyruar të angazhonte një
studiuese të njohur të historisë së Ballkanit, doktoren e
shkencave historike Nina Smirnova, me qëllim që fillimisht
lexuesi të njihej me pikëpamjen ruse dhe pastaj me qendrimin e
Kadaresë. Nuk dihet nëse ka pasur ndonjë përkthim tjetër të këtij
romani mbas atij në rusisht, ndërkohë që në vendet perëndimore
është përkthyer edhe “Lëkura e daulles” dhe ndonjë vepër tjetër
edhe më periferike.
Vihen re dy faza që paraqesin interes për të gjykuar rreth
raporteve të letërsisë së Kadaresë dhe kulturës botërore. Nëse në
fazën e parë, që përfshin kryesisht vitet ‘70-të, janë përkthyesit
shqiptarë që i servirin opinionit të jashtëm letrar veprat e
Kadaresë, në fazën e dytë, që lidhet me vitet 1980 e këndej, janë
njohësit e huaj të shqipes ose së paku të frëngjishtes që bëjnë
përkthime vetë, pa pritur përzgjedhjen prej botuesit vendës. Kjo
është faza e kalimit prej botimeve “vetëm Kadare, pa të tjerë”,
në botime antologjike. Rreth emrit të këtij personaliteti të
kulturës shqiptare u bashkuan e u njohën në shkallë
ndërkombëtare shumë shkrimtarë të tjerë bashkëkombës të tij.
“Antologjia” e prof. Aleksandër Zotos ishte një ngjarje për
kulturën shqiptare edhe për faktin që u kalua nga individi tek
kulturat, edhe për faktin që hapi rrugën e botimeve të këtij lloji
në Francë e gjetkë.
Me ardhjen e Kadaresë në letërsinë shqipe u dëshmua se raportet
midis metropoleve kulturore dhe periferive kulturore nuk janë të
ndarë një herë e përgjithnjë. Sot është koha e sundimit të
kryeqendrave kulturore prej letërsive periferike. Letërsia
hispanike e latinamerikanëve, letërsia nodrike e skandinavëve,
letërsia e popujve ballkanas, janë ushqimi i tyre. Me Kadarenë
letërsia shqipe përfundimisht doli nga harrimi dhe u bë fenomen
jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën. Prej afirmimit
individual u arrit tek afirmimi i një kulture. Ky është ndoshta
kontributi më i çmuar i veprës së tij. Ky konkluzion na lejon të
rikthehemi tek vlerësimi i Çabejt një gjysmë shekulli me parë.
Letërsia shqipe pati mbetur vërtet deri në kohët e vona një letërsi
e marxhinave, ndërsa afirmimi i saj ndërkombëtar ka qenë mjaft i
mundimshëm, shpesh edhe me flijime talentesh, që u janë
dedikuar kulturave të popujve të tjerë edhe për të treguar se
ç’janë në gjendje të bëjnë shqiptarët. Me Kadarenë u provua se
trualli shqiptar është gjithaq i denjë sa dhe metropolet për të
inkurajuar vepra të shkëlqyera dhe se karakteri i letërsisë shqipe
si letërsi mërgimtarësh lidhet kryesisht me rrethanat historike.
Nëse mërgimi i shkrimtarëve të mëparshëm dhe botimi i letërsisë
së tyre kryesisht jashtë dhe shpesh në gjuhë të huaj kishte një
kushtëzim të fortë prej rrethanave kulturore, gjendja e tanishme
e Kadaresë jashtë vendit filologjikisht mund të vlerësohet si një
fakt i parëndësishëm.
Letërsia e Kadaresë, siç ka vënë re me shumë kujdes studiuesi
Jorgo Bulo, përforcon një traditë më të hershme: pasuria e
traditës sonë letrare vjen jo aq nga shkollat dhe drejtimet, se nga
personalitetet. Me Kadarenë letërsia shqipe gjithashtu u zhvillua
dhe u afirmua jo si letërsi shkollash, por si letërsi personalitetesh.

LETËRSIA SI ÇËSHTJE SHTETËRORE
NË PERIUDHËN IDEOKRATIKE:
PUSHTETET DHE KADARE1

Një vështrim prapavajtës për politikën shtetërore në letërsi, art e
kulturë në periudhën ideokratike sot është mjaft i vështirë për t’u
kuptuar, sepse kontrolli mbi krijimtarinë në shoqëritë e mbyllura
arrin në kufij të tillë që vetëm në kontekstin e një absurdi të
përgjithshëm mund të pandehen të besueshëm. Luksi i shoqërisë
së hapur, sado paradoksale të duket, është një pengesë e madhe
për ata që e kanë njohur letërsinë në shtetet komuniste si dukuri
të tjetrit, pra, së jashtmi.
Në këtë parashtresë shprehja “letërsia si çështje shtetërore” ka
kuptimin e raporteve të shkrimtarit me pushtetin, të lirisë me
kufizimin, të krijimtarisë me kontrollin. Këto raporte nuk mund të
shtjellohen duke u marrë me shkrimtarë rastësorë dhe me
“letërsinë për përdorim”, aq më pak me letërsinë e porositur.
Ashtu sikurse arritjet e një letërsie gjykohen prej personaliteteve
të saj (për ndryshe të gjitha letërsitë në botë do të rezultonin
mediokre), ashtu dhe raportet e pushteteve me krijimtarinë mund
të gjykohen përmes raporteve të tyre me letërsinë e
personaliteteve, pra, përmes asaj letërsie që krijonte zonë
ndikimi, që faktorizohej si vlerë emancipimi, që rrezikonte të
ndërhynte e “të infektonte” edhe në botën e politikës. Për këtë
arsye, të kuptuarit e letërsisë si çështje shtetërore, apo si çështje
e shtetëzuar, në rastin e Shqipërisë mund të arrihet duke iu
drejtuar fatit të letërsisë së një shkrimtari që përbën pasaportën
ndërkombëtare të identitetit kulturor kombëtar në
gjysmëshekullin e fundmë.
Jo gjithçka që ka ndodhur në raportet e letërsisë së I. Kadaresë
me pushtetet politike në Shqipëri shpjegohet drejtpërdrejt dhe
përjashtimisht me politikën. Disa zhvillime brenda këtyre
raporteve shpjegohen më shumë me psikoza dhe komplekse
etnike. Në traditën e vlerësimit të figurave dhe zhvillimeve të
kulturës dhe qytetërimit vendës vërehet se ka një vëmendje të
përhershme dhe të merituar ndaj atyre figurave dhe zhvillimeve
që me kontributet e tyre nuk i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë,
pra, kanë mbetur, si të thuash, dukuri të pastra dhe të kufizuara
shqiptare. Ndryshe ka ndodhur jo vetëm me shkrimtarët e
periudhës komuniste, por, nëpër shekuj, me të gjithë ata që e
kanë kapërcyer vilajetin, krahinën, provincën, shtetin. Kjo ka
ndodhur qysh me shën Jeronimin dhe shën Niketën e Dardanisë
në paleokrishtërim, me Jan Kukuzelin e Onufrin në fund të
mesjetës, me Kavaliotin e deri-diku me Sami Frashërin, për të
ardhur deri tek Kadare e Nënë Tereza. Me një fjalë, figurat me rol
dhënës në kultura dhe qytetërime të tjera nuk janë pranuar aq
bujarisht në historinë e kulturës dhe të mendimit shqiptar, kurse
ata që i kanë shërbyer botës shqiptare së brendshmi, mundësisht
në provincën apo krahinën e tyre, e kanë marrë lehtë vlerësimin.
Dëshmohet qartë se autoritetet shtetërore e kthyen në një
veprimtari të pandërprerë mbikëqyrjen ndaj letërsisë së I.
Kadaresë sidomos në kushtet kur në Europë, por edhe në mjaft
vende të Lindjes, u shfaq një klime zbutjeje, e cila pak nga pak
mori karakterin e një dukurie të përbotshme, të paskajuar. “Brezi
1968” kishte tronditur botën. ”Beatles“ kishin kënduar ”Let it
be!“, duke përmbysur dilemën pesëshekullore të Shekspirit “To
be or not to be!”. Në Francë e Gjermani kishin shpërthyer lëvizje
masive studentore dhe qytetare. Në Amerikë sapo ishte
ndërprerë “tërmeti” i parakohshëm me emrin ”Kenedi“. Në
Europë po ngjallej teoria e Kejns-it dhe shoqëria qytetare po piqej
për të shkuar drejt Aktit Final të Helsinkit, që vendosi individin me
të drejtat e tij në kryeqendër. E gjithë bota po ndikohej prej
antropocentrizmit, që nuk pajtohej me kozmocentrizmin markist.
Pikërisht në këtë kohë në Paris botohet frëngjisht romani
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, gjë që do të ndikojë fatalisht për
keqësimin e raporteve të shkrimtarit me pushtetet, të cilët, në
njërën anë mburreshin se letërsia shqipe po fitonte vëmendje
ndërkombëtare dhe nga ana tjetër urdhëronin zyrat e veta për të
rritur vigjilencën se mos në veprat e ardhshme të tij mund të
ndodhte ndonjë e papritur.
I. Kadare është emblema e “Brezit 1968” në Shqipëri, si brez
mendimi dhe ndryshimesh. Falë talentit të tij ky vend nuk mungoi
në një prej rrjedhave më progresive të gjysmës së dytë të
shekullit të 20-të.
Rëndësia e burimologjisë/diplomatikës për shtjellimin e krahasuar
dhe për relativizimin e raporteve ndërmjet pushteteve dhe
krijuesve është parësore. Kjo jo vetëm për faktin parimor se asnjë
rivlerësim i traditës dhe historisë nuk mund të bëhet pa
ndryshuar burimet. Mbi të gjitha sepse shoqëritë ideokratike
karakterizohen prej pushteteve okulte dhe “kompetencës së
fshehtë”, nga mbikëqyrja e të cilave nuk ka shpëtuar as letërsia,
sidomos ajo letërsi që parandjehej se mund të cënonte disiplinën.
Duke iu referuar vlerësimit të letërsisë së I. Kadaresë sipas
burimeve jopublike del se pothuajse në të gjitha rastet shmangia
nga disiplina ka ndodhur jo aq si një provokim politik apo
ideologjik (duke përjashtuar romanet “Nëpunësi i pallatit të
ëndrrave” dhe “Koncert në fund të dimrit”, që në mënyrë të
hapur shpallin antitotalitarizmin e autorit), se sa si
pamjaftueshmëri e lirisë ideologjike për të zhvilluar talentin
vetjak. I ndjerë në një kornizë tejet të ngushtë dhe aspak
komode, siç ishte ajo që i ofroi periudha politike, Kadare në
shumicën e rasteve doli jashtë saj për të mos e lënë veten të
pashprehur. Konflikti më i rëndësishëm që provojnë burimet
ndërmjet Kadaresë me pushtetet është konflikti i një talenti që
nuk mund të shprehet brenda lirisë zyrtare. Në fakt, nuk është e
vërtetë se kjo rezulton të jetë bërë fakt publik në vitet 1970, siç
pohohet ndonjëherë. Redaktori i librit të parë të Kadaresë, botuar
në Moskë në vitet e universitetit “Gorki”, botuar me titullin
“Lirika”, D. Samoilov, më pas një figurë e mirënjohur e shkencës
letrare në Rusi, pati paralajmëruar në parathënien e librit,
ndoshta për të qenë edhe vetë i justifikuar për lëshimet, se ky
poet është i prirur “për t’u ndikuar prej letërsisë dekadente
borgjeze perëndimore”. Ndoshta nuk ishte faji i tij, por i vetë
pozitës së hapur të vendit të tij të lindjes ndaj Perëndimit.
Në kuptimin e dokumentalistikës ekziston një dallim thelbësor
ndërmjet nocioneve “kritikë zyrtare“ dhe “kritikë e zyrave“.
Ndryshimi nuk është në antinominë “cila është më e ashpër - cila
më e moderuar“. Mund të ketë ndodhur (dhe ka ndodhur) që një
kritikë zyrtare publike të ketë qenë shumë më e rreptë se
“kritikat e zyrave“, si në rastin e poezisë “Në mesditë Byroja
Politike u mblodh“, të romanit “Dimri i vetmisë së madhe“, të
romanit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“. Por “kritika e zyrave“
.është shprehje e vigjilencës së përgjithshme të strukturave
shtetërore e partiake për të ushtruar, veç kontrollit “të ligjshëm“,
edhe një formë tjetër kontrolli, atë të fshehtë, të padeklaruar, të
pabotuar, posaçërisht për udhëheqjen, posaçërisht për t’i ardhur
asaj në ndihmë si të përcaktojë qendrimin e saj ndaj subjektit.
Ekzistenca paralele e këtyre dy formave të kritikës është
shprehje e thelbit të shoqërive të kontrolluara, të mbyllura. Në
shoqëri të tilla nuk është aspak për t’u çuditur që një relacion për
romanin “Kronikë në gur“ të klasifikohet “sekret“, madje dhe një
shënim i thjeshtë “u pa” i një funksionari të lartë partie të
rezervohet qysh në çastin e krijimit. “Kritika e zyrave“ ka
funksionuar si një lloj mjeshtërie që kishte lidhje me veprat
letrare, por jo me publikun; ato i drejtoheshin krijimtarisë së
shkrimtarit, por ky nuk duhej të merrte dijeni për to, sepse, si të
thuash, ishin privilegj i pushteteve. Përmes “kritika e zyrave“, të
cilat nuk u bënë asnjëherë “kritikë publike“, pushtetet gjithnjë
dinin diçka më shumë se publiku për pikat e dobëta të veprave.
“Kritika e zyrave“ paraqitet si shprehje e kontrollit tërësor mbi
letërsinë. Përveç “vigjilencës publike“, që shprehet në dhjetëra
letra nga populli, në të cilat lexuesit e partishëm nxitojnë të
relatojnë gabimet ideologjike të autorit: diskreditimin e luftës
antifashiste dhe të idealeve të saj, përqeshjen e veteranëve dhe
ironizimin e tyre prej rinisë pa ideale, mungesën e heronjve
pozitivë dhe të frymës së masave, largimin nga shqetësimet e
ngritura nga partia etj.; të cilët mund të karakterizohen si gjykues
të mjediseve paraletrare, vijnë me radhë:
- Kritikat e shkrimtarëve dhe studiuesve vullnetarë, të cilët
dëshirojnë që pikëpamjet e tyre t’i marrë vesh udhëheqja, por në
asnjë mënyrë shkrimtari I. Kadare. Në një varg letrash kjo thuhet
drejtpërdrejt. Mund të përmendet rasti i gjykimit të L. Dilos për
poemën “Princesha Argjiro“, e cila qortohet për largim flagrant
nga historia dhe për deformim të kostumeve kombëtare në
ilustrimet që shoqërojnë poemën; po ashtu letra e një shkrimtari
të ri nga Berati, i cili i kërkon sekretarit të partisë për ideologjinë
R. Alia të heqë nga qarkullimi romanin “Kronikë në gur“, duke
qenë se kjo vepër është surrealiste dhe aspak realiste, për të mos
folur për realizëm socialist, që as që bëhet fjalë (një tjetër e
akuzon për ndikime psikanalitike frojdiste), por “pa e marrë vesh
vetë Kadare“, sepse kjo punë “duhet bërë me marifet“.
- Kritikat e recensuesve zyrtarë, të cilët, sipas rregullave të
kohës, duhej t’ua paraqitnin mendimet e tyre botuesve, por pa
komunikuar me autorin vetë. Vërejtjet e kritikat e recensuesve
shpesh Kadare i ka kërkuar zyrtarisht, edhe me shkrim (romani
“Dimri i madh“, romani “Gjakftohtësia“ dhe të tjerë), duke e
konsideruar si një rregull bazë mbi të cilin ndërtohen
marrëdhëniet midis autorëve dhe botuesve. Pra, botuesi ka të
drejtë të kërkojë nga autori ndreqjen e kësaj apo asaj gjëje të
dyshimtë të veprës, dhe ky i fundit mund të vendosë ta bëjë
ndryshimin apo jo. Por gjithashtu autori ka të drejtë të marrë
veprën e vet të refuzuar, duke pasur edhe mendimin zyrtar të
botuesit dhe të recensuesve. Në fakt, shumë prej këtyre të fundit
pranonin të bënin recensione për veprat e I. Kadaresë me kushtin
që vetë shkrimtari të mos njihej me to. Në këtë pikë
recensionuesi merrte një rol censuruesi. Një pjesë e madhe e
recensioneve që shtëpitë botuese porositnin për veprat e
Kadaresë për fat të keq nuk janë ruajtur, sepse arkivat e këtyre
të fundit në vitet 1990 u dëmtuan ose u larguan nga vëmendja
publike. Eshtë një fakt i njohur që veprat e Kadaresë, ndonëse
kanë në frontespic vetëm një apo dy emra recensuesish, në fakt
kanë pasur dy a trefishin e tyre, pavarësisht se pjesës tjetër nuk i
është përmendur emri. Romani “Koncert në fund të dimrit“ është
recensionuar disa herë, duke filluar prej kritikëve letrarë, deri tek
nëpunësit e ngarkuar për zhvillimin e letërsisë dhe arteve në
aparatin e komitetit qendror të partisë së punës, ekspertë të
jashtëm të këtij aparati, madje edhe anëtarë të komitetit qendror
dhe anëtarë të byrosë politike. Në këtë kuptim, burimet arkivore
njoftojnë për recensues të fshehtë dhe censurë të pashpallur.
- Korrespondenca e botuesve me zyrat partiake dhe shtetërore
për vepra problematike dhe kërkimi prej tyre i pëlqimit për të
mos lejuar botimin, për të hequr një vepër nga botimi ose për të
ndaluar qarkullimin e një vepre. Një letërkëmbim me shprehje
gjykimesh kritike jopublike ekziston dhe ruhet midis drejtorisë së
shtëpisë botuese “Naim Frashëri“ apo kryeredaktorit të gazetës
“Drita“ me shefat e tyre në parti. Rasti më i njohur është ai i
heqjes së poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ pasi
gazeta kishte filluar të shtypej, apo shtyrja e stërzgjatur e botimit
të ripunuar të romanit “Dimri i madh“. “Në mes të ditës byroja
politike u mblodh”, dhe në mes të natës poezia me të njëjtin titull
u hoq nga shtypi.
- Në një shumicë rastesh për veprat e I. Kadaresë janë zhvilluar
diskutime në parti. Për kritikat e shprehura në mbledhjet e
organizatave të partisë, jo vetëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Artistëve, por edhe në mjedise të tjera, në shkollën e partisë “V. I.
Lenin“, në komitetet e partisë në rrethe, si Tirana dhe Elbasani,
udhëheqja e lartë politike është informuar zyrtarisht.
Procesverbale të këtyre mbledhjeve, ose letra përmbledhëse ku
ndihet këshillimi i specialistëve të letërsisë, sidomos në
terminologji, janë bërë shkas që disa vepra të Kadaresë t’u
dërgohen menjëherë për rivlerësim specialistëve më të afërt të
partisë. Kjo ka ndodhur jo vetëm me “Dimrin e madh“ apo
“Nëpunësin e pallatit të ëndrrave“, por edhe me “Natën me
hënë“ apo “Vitin e mbrapshtë“.
- Strukturat e posaçme të administratës shtetërore dhe veçmas
ato të administratës partiake, të ngarkuara për zbatimin e vijës
së partisë në art, letërsi e kulturë, si të thuash, funksionalisht
kanë bërë detyrën për të shoqëruar me vigjilencë gabimet e
mundshme në çdo botim të ri të I. Kadaresë. Për këtë me shumë
zell kanë punuar sektorët e kulturës, të shtypit dhe të edukimit
në aparatin e komitetit qendror të partisë së punës. Disa herë
vërejtjet e punonjësve të këtyre sektorëve nuk përmbajnë asnjë
argument, por thjesht thuhet “ky roman nuk më ngop“, apo “në
këtë vepër ka diçka që nuk shkon“. Por në shumicën e rasteve
vërejtjet e specialistëve të sektorëve të ngarkuar me kulturën
dhe ideologjinë nga pikëpamja e argumentimit dhe e arsyetimit
nuk mund të qortohen. Duhet thënë se udhëheqja partiake nuk
mbante pranë njerëz të paformuar. Në funksionet që kryenin ata
kishin mundësi të ndiqnin rrjedhat letrare të kohës,
terminologjinë e shkencës letrare. Në ekspertimet e tyre ka
pohime të cilat edhe sot janë të paqortueshme. Nëse për një
vepër në këto ekspertime gjen të shkruhet se “ka ndikime prej
letërsisë perëndimore për shthurjen e heroit“, apo “mungesa e
perspektivës lidhet me të ashtuquajturin pikëllim botëror“, apo
“perandoria osmane është vetëm një pretekst për të aluduar për
shoqërinë socialiste“ etj., nuk mund të thuhet se funksionarët e
partisë mendësisht gabonin. Ajo që përbën pjesën e
pashëndetshme të këtyre vlerësimeve është ana etike, sepse
krijimtaria është akt estetik dhe etik njëherësh. Një pjesë e këtyre
vlerësuesve takoheshin ndoshta çdo ditë me shkrimtarin dhe ne
nuk e dimë nëse, qoftë edhe kalimthi, e njoftonin atë për çfarë
kishin shkruar. Rezulton se në një shumicë rastesh këto struktura
kanë bashkëpunuar. Relacione të gjata që i janë paraqitur për
njoftim e qendrim udhëheqjes janë nënshkruar nga specialistë e
nëpunës të disa sektorëve të aparatit të komitetit qendror, madje
edhe të redaksive të gazetave e shtëpive botuese e të shoqatës
së shkrimtarëve. Bashkëpunime të tilla “shembullore“ të
përsëritura ndërsektoriale ka në rastin e romanit “Koncert në
fund të dimrit“.
- Për vepra të I. Kadaresë herë pas here është zhvilluar debat në
brendësinë e vetë udhëheqjes së lartë partiake. Procesverbali i
debateve në udhëheqje për vjershën e ndaluar “Në mesditë
Byroja Politike u mblodh“ numëron deri mbi 100 fletë. Në këtë
procesverbal gjen përcaktime të ngjashme me ato të gjyqeve
politike: “vepër armiqësore“, “vjershë reaksionare”, “akt kundër
diktaturës së proletariatit“, “atentat ndaj vijës ideologjike të
partisë“, “poezi antikomuniste“ etj. Në këtë debat ka qenë i ftuar
për të marrë pjesë edhe shkrimtari, por ka pasur mjaft raste të
tjera kur diskutimet në udhëheqje janë zhvilluar pa praninë e tij.
Në dy raste, njëri për studimin me dy pjesë për ciklin e
kreshnikëve (1977) dhe tjetri për një artikull botuar në shtypin e
kohës për refuzimin që letërsia duhet t’i bëjë mesatarizmit (1985)
diskutimi është zhvilluar në frymë vlerësuese, por jo pa
shqetësimin se mos autori “na e ka me të hedhur“, pra, diku
gjetkë synon. Nuk janë ruajtur të gjitha procesverbalet ose
ndoshta nuk janë zbardhur të gjitha bisedimet në udhëheqje për
veprat e Kadaresë.
- Nga dëshmitë arkivistike dëshmohet se në ndonjë rast
funksionarë të udhëheqjes së lartë partiake nuk janë mjaftuar me
vërejtjet në mbledhje e diskutime “të brendshme“, por kanë
marrë përsipër madje edhe “ndreqjen“ e gabimeve në vetë
tekstin e autorit. Në një prej këtyre dokumenteve gjenden
shënimet e N. Hoxhës për romanin “Dimri i madh“, ku nuk
mungojnë edhe vërejtje të tilla, si: “të mos thuhet ‘për të mirë’
atje ku flitet për njerëzit që pinë kafe në ambasadë“, “të hiqet
fjala ‘disidente’ kur përshkruhet portreti i anëtares së byrosë
politike devijatore“, “të hiqet fjalia ‘shoku Enver mbante borsalinë
të madhe’“, “të hiqet shprehja ‘ne dhe ata’“ etj.
- Nuk mungojnë rastet e mbulimit vullnetar të krijimtarisë së
Kadaresë prej atyre që historia e Shqipërisë komuniste i njihte si
armiq dhe tradhtarë. Në një letër që ish-komandanti ballist i
arratisur në Perëndim Xh. Staravecka i drejton njëfarë “Iliri“ që
jeton në botën atlantike dhe njëherësh ia njofton për dijeni E.
Hoxhës, Kadare akuzohet për nënçmim të folklorit të veriut
shqiptar, të ciklit të kreshnikëve, të letërsisë së Fishtës dhe
Koliqit. Në disa raste vigjilenca e “botës së përmbysur“ shprehet
përmes letrave të të dënuarve. Rast i jashtëzakonshëm është ai i
kërkesës së “organeve të diktaturës së proletariatit“ drejtuar
shkrimtarit të dënuar politikisht Visar Zhiti për të dhënë mendim
se si i kupton klasa e përmbysur dhe armiku i klasës disa
fragmente të veprës “Dimri i madh“. Poeti Visar Zhiti, mbi të cilin
rëndonin vite dënimi për krime kundër shtetit, megjithëse vetë i
pashpresë për të ardhmen, fisnikërisht u tha hetuesve se vepra e
Kadaresë nuk i pëlqen borgjezisë, nuk u pëlqen armiqve të klasës
dhe “njerëzve të deklasuar siç jemi ne“. Por në raste shumë të
rralla mund të ndodhte që të vinte një përgjigje e tillë mbrojtëse
nga burgjet politike.
- Një “mbulim“ po aq të jashtëzakonshëm të veprës së Kadaresë
përbëjnë autokritikat e tij, në të cilat gjen shprehje të
pabesueshme, si “unë jam armik“, “vepra ime është antiparti“
etj. Në këto autokritika, njëra prej të cilave ruhet e plotë në arkiv,
mund të vërehet se deri në ç’afërsi i kishte mbërritur rreziku. Sa
më të rënda të kenë mbetur gjurmët e vetëdënimit autokritik për
veprat e ndëshkuara, aq më i afërt ka qenë përjetimi i një rreziku
më të madh prej autorit. Këto autokritika, ku shkrimtari pohon me
gojën e tij se “e ka nënvleftësuar realizmin socialist“, se ka
zëvendësuar “frymëzimin hyjnor“ me një frymëzim tjetër,
dëshmojnë pikën më të lartë kritike të raporteve të tij me
pushtetet. Si të thuash, këto autokritika janë shpresa e fundit për
të mbijetuar. Mbetej vetëm dhe një cak: të shpallej agjent.
Sikurse dëshmohet në burimet arkivore, edhe një përpjekje e tillë
nuk ka munguar.
Përmbajtja e “kritikës së zyrave“ është e larmishme: për
shtrembërim të historisë; për ndikim prej dekadencës
perëndimore; për pacifikim dhe humbje të frymës së luftës; për
surrealizëm; për psikanalitikë frojdiste; për deheroizim dhe
humbje të perspektivës; për atentant kundër sistemit; për
nënçmim të poezisë tradicionale të veriut; për denconcim
ideologjik të sistemit; për largim nga madhështia e ditës; për
ndikim acarues në raportet shqiptaro-serbe.
Veprat e I. Kadaresë, pas këtyre “kritikave të fshehta“, kanë
pësuar, në rastin më të mirë, vonimin disavjeçar për mbërritjen
tek lexuesi, rehabilitimin e pjesshëm, detyrimin për të bërë
redaktime, shkurtime dhe ndreqje, deri tek ndalimi zyrtar, sikurse
ndodhi me romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“, i cili mbante
numrin 11 në serinë prej 12 vëllimesh të “Veprës letrare“ të
Kadaresë, por në fakt seria u botua pa këtë vëllim.
Njohja me kritikën e fshehtë është pjesë e një procesi certifikues
për raportet e letërsisë me shtetit, të talentit me lirinë, të
pushtetit publik dhe të atij okult, të lirisë së individit dhe lirisë së
shoqërisë.
Shumë prej këtyre raporteve nuk do të mund të kuptoheshin pa
rikthyer në vëmendje kushtet e shoqërisë së kontrolluar, ku
detyra, përgjegjësia dhe vullnetarizmi është vështirë të ndahen
dhe po aq dhe të bashkohen, për të rritur apo ekzagjeruar peshën
e fajit.
Raportet e letërsisë me pushtetet në periudhën komuniste, jo
vetëm në Shqipëri, kanë qenë më të ndërlikuara se sa dihen.
- Kishte shkrimtarë e artistë të dënuar për arsye të lidhura
drejtpëdrejt me veprën e tyre (ose me një vepër të vetme). Midis
tyre kishte krijues të talentuar, që në veprën e tyre kishin
dhunuar nenin 55 të kushtetutës, në formën e agjitacionit dhe
propagandës. Midis përfaqësuesve të kësaj kategorie mund të
përmendet poeti Visar Zhiti. Por kishte dhe të tjerë të dënuar, për
arsye joletrare, që, megjithatë, ishin shkrimtarë të dënuar me
vepra të dënuara (K. Resuli, K. Trebeshina). Shpesh dënimi i
veprave vazhdonte edhe pas lirimit të shkrimtarëve. Do të ishte
pretendim i madh të cilësohej kjo dukuri një shfaqje disidence.
Asnjë disidencë nuk ka lindur pa një traktat refuzimi të rendit
politik-ideologjik ose të përkufizimit teorik-letrar të realizmit
socialist. Jo çdo pakënaqësi apo dhe kundërvënie ndaj sistemit
politik mund të cilësohet disidencë. Shkrimtari I. Kadare është
shprehur se “unë kam qenë një shkrimtar normal në një shoqëri
jonormale, jo një shkrimtar disident“, por të tjerë, të dënuar, në
disa raste edhe për krijimtarinë e tyre, megjithëse jo të
rrezikshme për pushtetet, pretendojnë të kundërtën. Problemi i
ekzistencës së një letërsie disidente në Shqipëri është një
problem i hapur, por në asnjë rast nuk mund të gjejë zgjidhje pa
marrë në vlerësim shkrimtarin I. Kadare.
- Kishte shkrimtarë të padënuar (të paburgosur) me vepra të
dënuara. Rasti më tipik i kësaj kategorie është I. Kadare.
Shprehur me fjalët e R. Alisë në vitin 1985, “asnjë vepër e I.
Kadaresë nuk i ka shpëtuar dënimit“.
- Kishte shkrimtarë shqiptarë që jetonin në Perëndim dhe nuk
botoheshin në Shqipëri, duke zhvilluar një proces letërsie krejt të
ndryshëm nga ai i realizmit socialist: shkrimtarë të mërguar me
vepra të ndaluara: Camaj, Pipa, B. Pogoni, Isuf Luzaj dhe të tjerë.
Këtyre iu shtua në vitet 1970 edhe B. Xhaferi.
- Kishte një letërsi “alternative“, e realizmit socialist, zhvillohej në
Kosovë, letërsi që ribotohej me përzgjedhje edhe në Shqipëri, më
e lirë ideologjikisht por më e penguar për të shprehur interesat e
bashkësisë.
- Ekzistonte letërsia e përkthyer, e cila nuk kishte si të ishte e
realizmit socialist.
- Kishte shkrimtarë të realizmit socialist që përpiqeshin të arrinin
maksimumin e cilësisë, pa cënuar kornizën e përgjithshme të
realizmit socialist, për shembull, duke zgjedhur tema dhe kohëra
në të cilat parimet e kësaj rryme nuk mund objektivisht të
zhvilloheshin dhe askush nuk mund të akuzonte autorët për
“devijime parimore“.
- Kishte një letërsi brohoritëse të shkrimtarëve mesataristë të
realizmit socialist, të cilët, me vullnet të plotë, me bindje të
padiskutueshme, shkruanin në përputhje me kërkesat e partisë.
- Ka ekzistuar edhe një letërsi përtej asaj brohoritëse, hyjnizuese
e paskajuar, që, megjithëse drejtpërsëdrejti dukej konformiste
dhe më e partishme se partishmëria, në fakt, me ekzagjerimin,
shkaktonte përqeshjen e sistemit politik. Shenja të një letërsie të
tillë, e cila në disa vende të Lindjes, si në Rumani, mori karakterin
e një rrjedhe, gjenden edhe në letërsinë e Kadaresë, të D. Agollit
dhe të ndonjë tjetri.

1. Ligjëratë për studiues e studentë të huaj, pjesëmarrës në kursin
veror për letërsi, gjuhë dhe kulturë shqiptare organizuar nga
Universiteti i Tiranës, 23.09.2003.
KATËR DILEMA ETNOTIPIKE

NË VEPRËN E KADARESË

I. Një urë apo një kështjellë?

Të gjithë popujt e Ballkanit, të vjetër e të rinj, ndër ta edhe
shqiptarët, nga njëri shekull në tjetrin kanë përcjellë dilemën
tronditëse “një urë apo një kështjellë?“. Përpara kësaj dileme, me
karakter thelbësisht qenësor, popujt janë ndalur për të menduar
gjatë, kanë marrë vendimin dhe pastaj kanë ndërruar mendje,
kanë vendosur ndryshe dhe prapë janë kthyer tek vendimi i parë,
duke ardhur deri në ditët tona me përfundimin historik se ura dhe
kështjella, në mos qofshin njësoj të domosdoshme për mbijetesën
e brezave, të paktën janë simbole jetikë e letrarë që rregullisht
alternojnë njëri-tjetrin, duke mos i krijuar asnjë vështirësi artistike
krijuesit, me emër apo anonim në është. Dilema të tilla, përpara
të cilave thirrja e dëshpëruar e Hamletit “to be or not to be!“
duket retorikë aristokratike, janë përftim i një vetëdije estetike të
përpunuar në shkallë të lartë, janë dëshmi e fuqisë së brendshme
të të përjetuarit dramatik të fatit nga popujt që i kanë formuar.
Një urë apo një mur, dorën e bashkëjetesës apo shpatën e duelit,
hapjen apo ngujimin, kullën me frëngji apo rrugën në besë, brez
pas brezi për popujt e Ballkanit ka qenë e mundimshme për të
zgjedhur. Kjo ka qenë një pikëpyetje intelektuale jo vetëm për
këngën e popullit, por edhe për shkrimtarët e vendit, duke veçuar
këtu I. Kadarenë.
Pothuajse në të gjitha kulturat tradicionale të popujve të Europës
Juglindore, para së gjithash në ato të popujve paleoballkanas, ura
dhe kështjella janë dy kujtime prehistorikë dhe dy simbole letrarë
të rendit të parë. Duke qenë në thelb të motivit indoeuropian të
murimit, ku, siç duket, është ngulitur një fazë e mesme e ritit
universal të flijimit, në baladat shqiptare ato dalin edhe si
nocione përjashtimorë, edhe si nocione vijimtarë (zëvendësues).
Një urë apo një kështjellë, një urë apo një mur, është një prej
mëdyshjeve që ka shtegtuar brez më brez nëpërmjet baladave
popullore të murimit, krahas me përjetimin e anasjelltë: edhe një
kështjellë, edhe një urë. Nuk janë bërë studime të posaçme nëse
kjo ndërgjegje estetike popullore që ka shoqëruar rotacionin gojë
më gojë të baladave shqiptare të murimit është shprehje
pavendosmërie historike, e vështirësisë së zgjedhjes apo,
ndoshta, e mënyrës intelektuale të të gjykuarit të udhëkryqeve të
historisë. Por duket se ka një lidhje artistike midis legjendës dhe
kështjellës, në njërën anë, dhe këngës e urës, në anën tjetër.
Sidoqoftë, zgjedhja midis urës dhe kështjellës, ose e të dyjave
bashkë, si dy vepra që e meritojnë flijimin njerëzor, është
përcaktuar jo vetëm nga rrethanat e ndërlikuara historike që
kanë përcjellë fatin e popullit shqiptar, por edhe nga vetëdija
krijuese e tij. Përpara pyetjes tronditëse “një urë apo një
kështjellë“, që mund të thuhet se është një prej trazimeve më të
mëdha të një bashkësie, një prej vendimeve më të vështira të një
populli, kënga është ndalur. Deri në ditët tona ka ardhur si një
përfundim historik se ura dhe kështjella u janë dashur brezave si
kushte themelorë të vazhdimësisë.
Në Shqipëri këngë për flijimin në ura ka në gjithë viset lindore, në
mesin dhe në jugun e vendit; kurse këngë për flijim në kështjella
ka prej veriperëndimit, në Shkodër, në Elbasan dhe deri në
Bregdet. Ndryshe prej eposit grek, ku flijimi u nguros si kushtim
hyjnive për qëllime luftarake (motive i Ifigjenisë), në traditën
gojore shqiptare flijimi është lidhur me qëllime paqësore, me
motivin e punës.
Një dilemë e tillë mund të çmohet si dëshmi e një kulture të
përpunuar në shkallë të lartë, si shprehje e fuqisë së brendshme
të të përjetuarit të fatit nga populli që e ka bartur. Ka qenë,
padyshim, e mundimshme për të zgjedhur midis dorës së
bashkëjetesës dhe shpatës së duelit, midis hapjes dhe ngujimit,
pikërisht për shkak të horoskopit të zymtë që i rezervoi koha
popullit shqiptar qysh prej antikitetit deri vonë. Perëndim i pasur
për Lindjen dhe Orient ekzotik për Perëndimin, ky kënd i
mënjantë i Europës ka përjetuar fatin e udhëkryqit dhe këtë fat e
ka shprehur edhe në kulturën e vet tradicionale. Sikurse në
rrjedhat e historisë, edhe në këngë, populli i ka ngritur urat, duke
u kushtuar edhe flijimin njerëzor, sa herë që kanë fryrë erëra
paqeje dhe miqësie. Por shumë shpesh është mbyllur në
kështjella, madje me tre-katër rrethime, pikërisht për shkak të
erërave të frikshme që i kanë zënë vendin paqes. Këto ndërrime
lidhen jo me gjurmë vitesh, por me prurje kohërash historike.
“Shtatqin vjet do t’i djeg kullat/ Shtatqin vjet do t’i vras qentë“, i
kërcënohet një prej heronjve kreshnikë të eposit shqiptar
kundërshtarit të vet. Rrudhja (restriksioni) dhe çmpirja e popujve
kanë sjellë gjegjësisht kështjellën dhe urën. Por janë dashur
shekuj të tërë për të tronditur miqësitë e kreshnikëve apo për të
zbutur inatin e tyre. Këtë dinamikë ka ndjekur edhe kënga
popullore shqiptare. Ashtu si në epopenë gjermane të
Nibelungëve, në sagat e popujve nordikë, në Kalevala-n
finlandeze apo në epin spanjol të Sidit, edhe në legjendat
shqiptare koha rrjedh madhështore dhe ndihet ngushtë në
kornizat e viteve.
Balada e moçme për flijimin në një vepër të madhe, në urë apo
në kështjellë (në popujt e tjerë ballkanas murimi lidhet edhe me
një faltore, kryesisht manastir, por edhe në kishë) në
folkloristikën shqiptare janë quajtur “të murimit“, “të besës“, “të
vetëmohimit“, deri tek emërtimi i dyshimtë si këngë të “ritit
inaugural“. Kjo ka ardhur jo vetëm nga polisemantika e tekstit
letrar, apo, më mirë të themi e arkitekstit letrar, por edhe nga
kontekstet historikë, moralë dhe socialë që kanë pasur parasysh
studiuesit në trajtesat e tyre. Tekst, kontekst dhe arkitekst janë
tri të dhëna bazë të domosdoshme për një gjykim shkencor të
kthjellët në rastin e shpjegimit të shkaqeve të mbërritjes së
baladës së murimit në gjendje lëkundjeje: një urë dhe një
kështjellë, po më mirë një kështjellë fillimisht dhe pastaj një urë.
Po të flitej mbi bazën e statistikave që përmbajnë raportet e
varianteve të mbledhura duhej thënë: dy-tri kështjella dhe një
urë. Një popull që konkludon në mendësinë e tij poetike se duhet
të flijohet më shumë për murin se për urën, ose ka disponimin e
mbylljes, të vetëmjaftueshmërisë, ose vuan pasojat e
mbrapshtisë historike, për të cilën nuk mund të gjykohet për keq.
Në rastin e popullit shqiptar, për të cilin dijetarët vijnë në një
mendje se kronologjikisht i është nënshtruar ngushtimit,
përjashtohet ndikimi i të ashtuquajturit “kompleks hapësire“. Një
gjykim të përqendruar do të mundësonte vëzhgimi kontekstualist
edhe në rastin e veprave të I. Kadaresë prej “Kështjellës”, deri
tek “Ura ... “ me libra të tjerë.
Raportet midis urës dhe murit në këngët e murimit janë
njëherësh shprehje të lidhjeve vatër dhe botë, etni dhe njerëzim,
“i vet“ - “i huaj“. Kjo mënyrë të arsyetuari është me vend nëse do
t’i përmbahemi premisës se në baladën e murimit, e cila vjen prej
fondit më të lashtë të trashëgimit popullor shqiptar, si dhe tek
popujt e tjerë të Ballkanit, gjërat rrënjësore nuk mund të jenë të
rastit, zgjedhjet janë bërë mbas shumë ciklesh përcjelljeje nga
një kohë në tjetrën dhe nga një rajon në tjetrin; nga prindërit tek
bijtë, nga një popull tek tjetri. A mund të jetë e rastit, bie fjala, që
rumunët këngën e mjeshtrit Manole e lidhin me një murim në
faltore? A mund të jetë e rastit që grekët nuk e njohin murimin në
kala, ndonëse në antikitet njohin edhe flijimin për mbarësinë e
një fushate ndëshkimore kundër trojanëve grabitës të Helenës së
bukur, mbas të cilit lind kompleksi i atësisë dhe e drejta e
hakmarrjes në emër të “lisit të gjakut“ dhe kundër “lisit të
tamblit“, domethënë kundër lidhjes matriarkale? A mund të jetë e
rastit që në periudhën bizantine ky motiv tek grekët del pa
alternativë, vetëm si murim në urë?
Në këngët e murimit, të cilat shqiptarët në përgjithësi i lidhin me
emrin e kalasë së Rozafës, një kështjellë në drejtimin
veriperëndimor të vendit, rrënojat e së cilës dëshmojnë një
lashtësi parakristiane (për këtë shkak ajo është kthyer në mit
historik dhe objekt sherri me sllavët e jugut), njeriu mund të gjejë
edhe dorëzimin në dorë të shortit, edhe sakrifikimin e
vetëpranuar; edhe besën, mbajtjen e fjalës së dhënë, edhe
shkeljen e paktit dhe prishjen e marrëveshjes (dy nga vëllezërit
dalin nga fjala për të mos u treguar grave se ajo që do të sjellë
bukën do të nguroset, vetëm i vogli e mban premtimin); edhe
heroizmin epik, edhe krimin (a mund të mendohet një vepër më
kriminale se varrimi për së gjalli i një nëne të re?); edhe vdekjen,
edhe mbijetesën; edhe vendosmërinë njerëzore, edhe fuqinë
hyjnore (çfarë mund të quhet patriarku këshilltar, që u shtie në
mendje murimin tre vëllezërve?). Por mbi të gjitha kënga për
kalanë e Shkodrës, qytetit ku gjendet Rozafa antike, përmban
mendësinë parahistorike të njeriut të hershëm për paqëtimin e
natyrës para lëndimit me themele, për një marrëveshje me të për
një vepër të përbashkët, të cilën një palë do ta ngrejë dhe tjetra
do ta mbajë. Le të shënojmë kalimthi se në emrin e Rozafës me
sa duket do parë përfundimisht emri i vendlindjes së dy
shenjtorëve hebrej, Sergji e Baku, që ndërtuan bri Bunës një prej
kishave më të hershme të Shqipërisë. Ata erdhën në botën
shqiptare nga Rozafa izraelite. Shpjegimi romantik i Barletit, që
flet për bashkimin e emrit të motrës Roza me emrin e vëllait Fat,
si shprehje e fraternitetit, s’mund të mbetet më këmbë kundrejt
faktit historik.
Trajtimi eufemik i natyrës, marrja e tokës me të mirë, flijimi për
qëllime paqësore, si motive me përhapje globale, ku ruhet një
stad i lashtë i mendimit njerëzor, në këngën për kalanë e
Shkodrës (Scodra e periudhës iliro-romake) shprehin veçorinë e
etnopsikikës shqiptare. Këtu do parë ajo fazë e qëmoçme e
ndërgjegjes së njeriut kur toka shihej si një organizëm i gjallë, si
një mëmë e madhe, që mund të harbohej dhe të jepte
kundërpërgjigje të serta nëse dikush guxonte t’i hapte plagë.
Kulti i natyrës, i dheut, i landit, i truallit të të parëve; shenjtërimi i
saj, përbëjnë një bagazh prehistorik të mendjes njerëzore. Blata u
takon së pari atyre. Dilema ka ardhur më pas. Duke vijuar
logjikën e parashtruar më sipër duhet thënë se ajo ka filluar të
përftohet mbas arritjes së identifikimit etnokulturor të vetes dhe
krijimit të opozicionit minimal “vendës - i ardhur“. Flijimi, i
gërshetuar nëpër rrjedhë të shekujve me kultin e truallit dhe
hyjnizimin e sakrificës në një kuptim më të gjerë, vjen prej
periudhash sakrale të ndërgjegjes estetike dhe të njohjes së
njeriut.
Në traditën popullore shqiptare këngët e flijimit, ndonëse gjejnë
përhapje në gjithë hapësirën kombëtare, në pjesën më të madhe,
siç u përmend, janë të lidhura me një rajon që mund të
konsiderohet si vatër bazë. Nuk do nënçmuar fakti që kjo vatër
përmban në kryeqendër kalanë më të vjetër në Shqipëri. Ajo
është kalaja që i dëshmon të dy periudhat më të mëdha të jetës
së popullit qysh prej burimit deri në ditët tona: periudhën ilire dhe
atë shqiptare. Ajo ka qenë madje, nëse duam ta themi, edhe në
fazën e kalimit prej ilirëve tek shqiptarët, do të thotë prej etërve
tek bijtë, kalim që ndodhi (vetëm) një herë në histori. Sipas
dëshmive të historianit të njohur shqiptar të periudhës së
Rilindjes Europiane M. Barleti, Rozafa ka pasur legjenda popullore
qysh në mesjetë. Barleti ishte vetë shkodran dhe mbetet e
çuditshme pse nuk e ka njohur baladën e murimit ose, më saktë,
pse nuk e ka parapëlqyer dhënien e saj tek vepra “Rrethimi i
Shkodres“. Si historian humanist, në frymën e rritjes së
vëmendjes për njeriun e zakonshëm, lirisht mund t’i drejtohej
kulturës së “vulgut“, deri atëherë të përçmuar (emërtimi
“bugarshtice“ që përdorin sllavët e jugut për këngët e
kreshnikëve - “junaçke“ - duhet të ketë lidhje zanafille me lat.
vulgus - vulgaris, në kuptimin “popullore“, që e fitoi kjo fjalë në
semantikën rilindëse). Një arsye që mund të sillet në dobi të
argumentit se Barleti e njihte baladën, por me vetëdije nuk e
përmendi, është fryma pagane e saj, lënda parakristiane që
përmban, e papranueshme për kishën. Eshtë për t’u vënë re se
arbëreshët e Italisë, të cilët ruajtën baladat e rinjohjes dhe të
ringjalljes, atë të murimit nuk e kanë!
Krahas murimit në kështjellë në letërsinë orale të popullit gjendet
në alternancë të qendrueshme edhe murimi në urë, në murin e
qytetit. E mbetur midis kështjellës dhe urës, pa e ndarë mendjen
“këndej apo andej“, poezia popullore shqiptare dëshmon po atë
“zhvendosje“ historike, të kushtëzuar prej rrebesheve të kohës,
që ka shoqëruar vetë popullin që e ka krijuar, në zgjedhjen midis
bashkëjetesës dhe konfliktit, midis hapjes dhe mbylljes, midis
komunikimit dhe armiqësisë, midis marrëveshjes dhe
vetëveçimit. Rrjedhat e rrëmujshme të historisë kanë bërë që në
folklorin shqiptar, në vetëdijen krijuese popullore, flijimi në
kështjellë dhe në urë të kenë raportin historik të luftës dhe të
paqes, të miqësisë dhe të alarmit, të qetësisë dhe të rrezikut. Kjo
vihet re edhe në eposin e kreshnikëve. Heronjtë epikë kujtojnë
kohërat “kur kem pasë besë me krajli“, domethënë paqet
rajonale, kohërat e vllamërisë (probatinisë) me të ardhurit, kur
Jutbina, “Troja“ e kreshnikëve shqiptarë, niste e priste mysafirë,
pa ndier nevojë të kthehet në kështjellë.
Eshtë për t’u vënë re se motivi i murimit lidhet me një kështjellë
kryesisht në ata popuj të Ballkanit, duke përfshirë dhe shqiptarët,
madje në radhë të parë tek ata, që tradicionalisht i janë
nënshtruar humbjes së territoreve etnikë. Përkundër këtij fakti,
në popujt ekspansivë, që kanë dominuar edhe në këtë kënd të
ngushtë të Europës: herë me anë të institucioneve perandorake,
herë nëpërmjet ndikimit kulturor; herë me dyndje dhe
shpërngulje masive, herë me luftëra dhe dhunë; herë nëpërmjet
rolit kulturor metropolitan; zotëron më shumë motivi i murimit në
urë. Përvoja e hidhur historike ka krijuar ndjenjën e vetëruajtjes
tek populli shqiptar. Si një popull vijimisht i rrezikuar, ai është
detyruar të parapëlqejë flijimin në kështjellë, të shenjuar në
mënyrë modelare në këngën për kalanë e Shkodrës, më shumë
se flijimin në një urë, jo sepse i ka munguar disponimi i hapjes
dhe i komunikimit, por sepse dëshirës së tij për bashkëjetesë më
së shumti i është përgjigjur synimi tinëzar për sundim dhe epërsi.
Por kështjella dhe ura mund të shihen në një kënd paralel me
vendosjen-shtegtimin. Kjo është gjithashtu një prej dilemave më
tronditëse jo vetëm të botës shqiptare, por të njerëzimit në
përgjithësi. Në letërsinë antike greke jeton tipi i njeriut që nuk
rron dot pa parë botë, pa shpirt aventure (Helena, Odiseu),
krahas tipit të kundërt, joshtegimtar (Penelopa). Letërsia shqipe e
ka trashëguar gjithashtu këtë shpirt arratie dhe mërgimi. Në
këngët e kreshnikëve është përdorur shpesh shprehja “me dalë
me pa botë”.
Kontekstet historikë kanë mundur të japin dëshmi të
drejtpërdrejta për atë realitet tragjik që ka ushqyer epërsinë e
murimit në kështjellë ndaj murimit në urë. Rrethimi e ka kthyer
periodikisht vëmendjen tek kështjella, sikundër që miqësitë dhe
aleancat kanë konvokuar flijimin në urë. Nëse kanë sunduar
rrethimet kundrejt miqësive, rreziqet kundrejt qetësisë, dyndja e
vërshimi kundrejt respektimit te landeve të njëri-tjetrit, lakmia
kundrejt mirëkuptimit, kjo ka bërë që motivi i flijimit të lidhet më
shumë me një mur se me një urë. Natyrisht që mund të ketë
edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në këtë raport. Një prej tyre
është aspekti utilitar i veprës. Në mentalitetin shqiptar ura hyn në
disa lidhje frazeologjike që kanë konotacion negativ: mos u bëj
urë; në urë kalon i miri dhe i ligu, miku dhe armiku; po u bëre urë,
të shkelin me këmbë etj. Por fati historik mbetet faktori i parë.
Sipas vëzhgimeve dhe statistikave të folkloristëve, që
mbështeten në një klasifikim të varianteve të baladës së murimit,
të regjistruara në mbi 150 vendbanime të vendit, del rreth 90
variante bëjnë fjalë për ndërtim kalash, kurse pjesa tjetër për ura.
Janë edhe dy të dhëna të tjera që tërheqin vëmendjen mbas
përpunimit statistikor. Së pari, murimi në kështjellë ka përhapje
në radhë të parë në viset bregdetare, domethënë në anën
perëndimore të territorit të vendit: që nga Myzeqeja (nën
Shkumbin) deri në thellësitë alpine e diku më tej. Kjo mund të
merret si një njoftim për mbresën historike të të përjetuarit të një
rreziku që vjen nga deti, pak a shumë si në këngën e Gjergj Elez
Alisë, një prej kryeheronjve epikë shqiptarë, detyra e të cilit është
të çlirojë vendin nga “nji bajloz i zi qi ka dalë prej detit“. Kjo
mbresë mund të jetë një mbishtresë kujtimesh kur Perëndimi në
vetëdijen shqiptare është përftuar si një rrezik. Prej mesjetës së
hershme po përmendim shkarazi vetëm disa vite të ardhura nga
Perëndimi: 1080, 1260, 1339, 1393, 1501. Në anën tjetër, edhe
vetë kështjellat, siç e tregojnë rrënojat e tyre, gjenden kryesisht
në anën perëndimore të vendit, në zonën pranëdetare, që ka
qenë më e populluar dhe më urbane. Shkrimtari i njohur I. Kadare
ka vënë re se në kufijtë me fqinjët jugorë shqiptarët nuk kanë
kështjella pothuajse fare. Për t’i besuar kësaj logjike të dhënash
do parë edhe: ku nuk janë bërë kërkime për këtë lëndë, ku
ekziston vetë kënga dhe ku mund të dëgjohet vetëm gojëdhëna,
e cila ka zëvendësuar këngën.
Së dyti, nuk ka ndonjë arsye për ta keqkuptuar vendin më të
gjerë që zë murimi në kështjellë ndaj flijimit në urë. Murimi në
kështjellë, përveçse si simbol qendrese, është njëkohësisht
shprehje e një popullsie ndenjëtare (sedentare), të lidhur me
trojet e të parëve, sikundër që murimi në urë ka shprehur
nevojën e zgjerimit e të shtegtimit. Një kështjellë nuk ndërtohet
për një stinë, për një vit a për një brez. Kështjellat janë vepra që
flasin për bashkësi të qendrueshme urbane, që nuk e shohin
veten si të përkohshme dhe shtegimtare në trojet e tyre. Një
popull i ngulur mund t’ia kushtojë flijimin njerëzor kështjellës jo
vetëm për rolin e saj si një mburojë ndaj kërcënimit të jashtëm,
por edhe për ndikimin organizues qytetar të bashkësive me
përqendrim popullate dhe rregull të brendshëm. Kënga thotë se
“ishin tre vllazën“ që filluan të ngrenë kalanë, tre vëllezër që e
kanë shtëpinë e tyre diku aty pranë. Kjo “vëllazëri“ është vetëm
pjesa e parathënë e tekstit. Pjesa e nënkuptuar e tij të çon tek një
bashkësi më e gjerë. Në traditën shqiptare deri më sot është bërë
fjalë për fise vëllezer, për bajraqe (flamurë) vëllezër, jo vetëm për
kuptimin denotativ të fjalës. Ndërsa fakti që balada e murimit
përcjell jehonën e një rreziku perëndimor është me shumë kuptim
për tezat themelore të albanologjisë: tek ai rrezik ruhet një kujtim
parashqiptar, që mund të lidhet me periudhën e romanizimit të
Ballkanit apo me luftërat iliro-romake. Ky kujtim i hershëm
përforcon argumentin mbi burimin vendës të kësaj balade me
përhapje ndërballkanike. Siç shihet, nga euforia për të ndjekur
“regjistra“ agjitativë, dëmtohet një argument i autoktonisë së
popullit dhe kështu deformohet e kaluara historike e tij.
Ndoshta në mbijetesën e dilemës “një urë apo një mur“ ka
ndikuar edhe mënyra se si është përftuar në botë vendi dhe
rajoni. Historia në një shumicë rastesh tregon se si ura në Ballkan
ka qenë e lipsur më shumë për të tjerët se për veten, të paktën
qysh prej Egnatia-s së lashtë, ura e parë midis dy metropoleve të
antikitetit, Romës e Kostandinopolit. Madje edhe në kohën e
sotme pa ndonjë druajtje thuhet se Ballkani e ka të ardhmen e
vet tek shndërrimi në urë politike midis botëve të mëdha
perëndimore e lindore. Flijimi është forma më e hershme e
sakrificës dhe nuk mund të shpërdorohej mendjelehtësisht.
Në një kuptim më të gjerë dilema gjendet jo vetëm në anën
simbolike që i ka dhënë tekstit konteksti historik, por edhe nga
vetë thelbi i kohës së lindjes së legjendës, burimi i së cilës mund
të jetë kronologjikisht i ndryshëm prej atij të baladës. Ajo bart
shenjën e asaj faze të historisë kur çështja shtrohej: e drejta e
babait apo e nënës, ligji i patriarkatit apo i matriarkatit, këshilla e
plakut të urtë kalimtar - shenjtit, profetit - apo jeta e nuses së re,
një qenie e zakonshme tokësore? Trajtimi i flijimit të nuses si “rit
inaugural“ ngjan shumë agjitativ, për të mos thënë fyes. Nuk
është për t’u përjashtuar hamendja se flijimi i gruas së vëllait më
të vogël mund të lidhet me atë fazë të historisë kur e drejta e
trashëgimisë kaloi nga djali i parë tek më i fundit. Krahas
gjurmëve të këtyre periudhave të mëdha të njerëzimit të
hershëm mund të gjenden edhe të dhëna që lidhen me
avunkulatin, me kultin e të parëve, me sundimin e së kaluarës
mbi të tashmen. Por në çdo rast mbetet edhe ngarkesa simbolike.
Në studimet e sotme ka një prirje për riinterpretim të alternativës
së dhimbshme “midis urës dhe kështjellës”. Sipas këtij
riinterpretimi, mund të flitet për një “kompleks kështjelle” apo
“kompleks Rozafe”, të cilit njeriu i sotëm duhet t’i largohet njësoj
siç i largohet kompleskit të Edipit, për të shpëtuar prej incestit.
Në mënyrë më të drejtpërdrejtë: njeriu shqiptar duhet t’i largohet
kompleksit të sakrificës pikërisht duke ekzorcuar kompleksin e
Rozafës. Ky vështrim është interesant po të shihet si ilustrim i
teorive të reja të shpjegimit të nënndërgjegjes njerëzore, por në
pikëpamje të vlerës shkencore është shumë i diskutueshëm,
sepse zhvillohet duke e parë historinë njerëzore në mënyrë
aposteriorike, pa vlerësuar karakterin shumështresor të saj.
Eshtë shumë e rëndësishme të shihet se si e ka përshkuar veprën
e Kadaresë kjo dilemë e madhe e etnotipit shqiptar.
Romanin “Kështjella” Kadare e shkroi në 500-vjetorin e vdekjes
së Skënderbeut (1968) dhe me të fitoi çmimin e parë të
konkursit. Por ngasja për kështjellën, në një kuptim më të gjerë,
në veprën e tij duket më herët dhe nuk mbaron me këtë libër.
Figurativisht simboli i kështjellës është qysh tek “Poemë e
blinduar”. Njëfarë kështjelle ishte padyshim edhe kali i drunjtë i
Gent Ruvinës dhe i miqve të tij të ngujuar të novelës
“Përbindëshi”. Një kështjellë gjigante është piramida në novelën
“Ndërtimi i piramidës së Keopsit”. Kulla e ngujimit e Gjorg
Brezftoftit në “Prillin e thyer”, bashkë me shumë kulla të tjera me
një frëngji të vockël të vetë-mbrojtjes prej hakmarrjes, janë
kështjella të vogla që sundonin malësitë shqiptare. Pallati i
Endrrave, me seksionet e tij, është ndërtuar në formën e një
kompleksi kullash të hekurta. Vetë laboratori krijues i shkrimtarit,
i përshkruar me hollësi në librin “Ftesë në studio”, ka pjesët e
rezervuara të saj, që mbrohen prej daljes në dritë si në një burg
të heshtur. Hauret dhe steretë e shtëpive gjirokastrite në
“Kronikë në gur”, shtëpia etnografike e princit të Mirditës
(Gjomark) tek “Prilli i thyer”, vila e frikshme dhe e harruar e ish-
ministrit në prag të gjyqit tek “Koncert në fund të dimrit”, kampi i
rreptë i të internuarve tek “Përçmimi”, baza ushtarake e Vlorës
(Pasha-Liman) tek “Dimri i madh”, shtëpia me portë (detyrimisht)
të hapur e dijetarit Martin Shkreli në Prishtinë tek “Krushqit janë
të ngrirë”, janë vetëm disa nga variantet e shumtë të simbolit të
kështjellës në veprën e Kadaresë.
Simboli i kështjellës është i lashtë në letërsinë popullore
shqitpare dhe në kulturën botërore. Pas “Çitadelës” (kështjellës)
së Gollsuorthit dhe një “Kështjelle” tjetër të Ekzyperisë, njohje të
gjerë ndërkombëtare ka pasur padyshim “Kështjella” e Kafkës
dhe në një shkallë të admirueshme edhe ajo e Kadaresë. Ndoshta
kjo ka qenë një nga arsyet që në botimin përfundimtar në gjuhën
frënge autori ia ka ndërruar emrin, duke e quajtur “Les
tamboures de la pluis” - “Daullet e shiut”. Kështjella, si nocion i
jetës së bashkësive të mëdha, si formë e rregullimit të jetës
urbane, si përshtatje e saj për të mbijetuar në kushte qendrese,
rrethimi, lufte dhe armiqësie, gjendet qysh në letërsinë
humaniste të shekullit të 16-të, me “Rrethimin e Shkodrës” të M.
Barletit dhe pastaj me “Shkodrën e rrethueme” të N. Nikajt, në
ndonjë dramë të Ndre Zadesë etj. Balada e murimit, në
performancën e saj të plotë, ndër shqiptarët i kushtohet kryesisht
ndërtimit të një kalaje. Edhe “muri i qytetit”, që zëvendëson
shpesh kalanë, është njëfarë kështjelle. Si nocion universal idenë
e kështjellës e ka krijuar ajo që gjatë luftës së ftohtë quhej “perde
e hekurt”, kufiri midis ish-blloqeve e shteteve, Muri i Berlinit. Në
jetën e shqiptarëve kufiri konvencionalisht mund të thuhet se
mori karakter të dyfishtë si mur ndarës: me botën dhe më
gjysmën e vetes. Muri dhe kështjella e kanë sunduar si një
kompleks jetën shqiptare në shekullin e fundit.
Viti kur u shkrua “Kështjella” përputhet (ndoshta jo rastësisht) me
kohën e vendimit të Shqipërisë politike për të dalë nga traktati
ushtarak i Varshavës (1968), që ishte e fundmja lidhje e vendit
me një organizëm ndërkombëtar. Entuziazmi që krijoi ky vendim
tek njerëzit, bashkë me shpresën e një riorientimi të qytetërimit
të vendit, që do të përputhej me një përparësi tradicionale,
shoqërohej me një ndjenjë të natyrshme pasigurie, frike për të
ardhmen dhe zymtësie, që lidhej para së gjithash me rrezikun e
një kohe “të vetmisë së madhe”, që mund të vinte papritur.
Në veprën e Kadaresë dilema midis urës dhe kështjellës është po
aq tronditëse sa në vetë historinë e popullit. Në formën më të
pjekur artistike kjo dilemë shprehet në romanet “Kështjella“ dhe
“Ura me tri harqe“. Në një farë mënyre ato janë vazhdim i njëri-
tjetrit. I botuar të paktën, një dekadë pas “Kështjellës“, romani
“Ura me tri harqe“ plotësoi një valencë të lirë në veprën e
Kadaresë, duke e shpëtuar atë nga një gjymtim eventual. Si
shkrimtar i një niveli mbinormal, atij mund t’i lejohej “Ura...“ pa
“Kështjellën“, por jo e kundërta. Ambasador i kulturës shqiptare
në botën e madhe, Kadare e kompensoi vonesën relative artistike
me një blasfemi politike. Pasi tentoi të dalë nga “kështjella“
simbolikisht me “Dimrin e vetmisë së madhe“, ai paraqiti “Urën
me tri harqe“, në një kohë kur mendimi zyrtar shkonte drejt
përcaktimit për të punuar e për të jetuar si në rrethim; në një
kohë kur mendohej se vendi duhej të përgatitej për të përballuar
jo një armik, por një koalicion armiqsh.
Në kohën e botimit të “Urës...“ autori i saj u qortua nga kritika
zyrtare për largim nga realiteti dhe mërgim në prehistori. Në
pikëpamjen shtetërore një ribotim i “Kështjellës“ do të kishte
qenë padyshim më i mirëpritur se romani i ri i Kadaresë. Por
ndërgjegjja artistike e shkrimtarit, e prirur qysh në fillim drejt fatit
historik të popullit, nuk mund të mbetej indiferente ndaj anës
tjetër të alternativës. Kështjella ka qenë një simbol me rëndësi
përcaktuese për shqiptarët po aq sa edhe ura. Ai që krijoi
kështjellën e qendresës në kushtet e darës së armiqësisë nuk
mund t’i lejonte vetes të mbetej në testamentin e ndarjes nga
bota dhe të armiqësisë së përgjithshme ndaj saj. Kadare bashkoi
artin mjeshtëror me blasfeminë politike dhe krijoi “Urën me tri
harqe“, gabimisht e vështruar në shumicën e rasteve vetëm si
një çmitizim i legjendës.
Duke u endur në periferitë më të largëta të mendimit artistik të
Kadaresë, shtypi letrar i kohës e priti dhe deshi ta gjykojë
“Urën...“ si një kronikë të zakonshme të historisë shqiptare në
mesjetën e hershme. U debatua shumë nëse duhej të pranohej si
fakt real apo vetëm si një konvencion artistik riti inaugural i
flijimit, trashëgimi e një bote të hershme të marrjes leje prej
tokës mëmë për lëndimin nga hapja e themeleve, në një farë
mënyre shprehje e sundimit të të vdekurve mbi mentalitetin e të
gjallëve. Pati polemikë nëse stadi i zhvillimit shqiptar në
periudhën e themelimit të urës ka qenë aq i përparuar apo e ka
përshpejtuar qëllimisht shkrimtari. Por, nuk e kuptoi apo nuk pati
guximin ta thotë, kjo është një çështje tjetër, mediumi i letërsisë,
as atëherë, as më vonë, nuk arriti të shohë tek “Ura...“ anën
tjetër të “Kështjellës“, për të mos thënë “anti-kështjellën“.
Midis kështjellës dhe urës, popujt e Ballkanit erdhën deri në
shekullin e 20-të të pavendosur për të zgjedhur të parën apo të
dytën. Por njerëzit më të ditur të rajonit, duke përfshirë në këtë
grupim edhe Kadarenë, në pragun e mijëvjeçarit të ri të paktën
arritën tek kuptimi se flijimi i madh e ka vlerën humane dhe
morale shumë më të lartë tek themelet e një ure se sa tek ato të
një kështjelle. Ky moral nuk mund të buronte përveçse nga
intelektualët. Në një formë mjaft të qartë debatin për të
sakrifikuar për urën apo për kështjellën e ka edhe Rexhep Qosja
në dramën e titulluar “Beselam, pse më flijojnë?!“, e cila është
vënë në skenë disa kohë më parë nga teatri i këtushëm.
Kadare e parakaloi kohën politike kur shkroi “Urën me tri harqe“.
Përthirrja e tij për të kërkuar urën në vend të kështjellës u dëgjua
pikërisht atëherë kur mbyllja kishte arritur shkallën maksimale.
Do të duhej të kalonte edhe një dekadë a më shumë që kërkesa
për të shembur perdet e hekurta të kthehej në një kërkesë
masive dhe të merrte karaterin e një manifesti. Por duhet thënë
se ai i qendroi besnik pavendosmërisë historike që tregon populli
në trashëgiminë e tij në lidhje me këtë dilemë. Pas “Urës...“
Kadare shkroi novelën “Krushqit janë të ngrirë“, në të cilën
rikthehet tek kështjella e dikurshme, ndonëse është i
ndërgjegjshëm se detyra e tij është t’i shembë muret. Por
shkrimtari respekton realitetin. Ai nuk mundet t’i shkrijë krushqit
dhe t’i shembë kështjellat brenda një kohe të ngrirë, ndonëse do
ta dëshironte me gjithë zemër një gjë të tillë. Në fakt vetë Kadare
e ka ndier se ngurrimi i tij për ta ndarë mendjen dhe për të
mbetur në njërën anë të dilemës s’kishte të bënte vetëm me
formimin e tij artistik e intelektual. Kur shkroi esenë e gjatë
“Eskili, ky humbës i madh“, ai pati deklaruar se do ta shihte si akt
emancipimi të vetvetes krijimin e një libri tjetër kushtuar kulturës
së popujve sllavë të jugut, bie fjala, mjeshtrit Danilo Kish, libër të
cilin ende nuk e ka shkruar dhe ka të ngjarë të mos e shkruajë
ndonjëherë. Sepse muret e kështjellat nuk shemben dot vetëm
nga njëra anë dhe nuk mjafton thjesht emancipimi personal për
të ekzorcuar një dilemë mijëvjeçare. Kadare nuk mund të bënte
atë që s’arritën ta bëjnë gjenerata te tëra. Ndoshta vetë kuptimi i
jetës dhe i fatit tragjik të ballkanasve e ka burimin tek gjendja e
papërcaktuar midis urës dhe kështjellës dhe kapërcimi i saj mund
të krijonte një boshllëk, në kuadrin e të cilit njerëzit do ta ndienin
veten keq.
Simboli i kështjellës në veprën e Kadaresë gjendet atje ku nuk ta
pret mendja. Një nga romanet e tij të viteve ‘80-të, “Prilli i thyer“,
është i mbushur me kulla ngujimi dhe vija gjaku. Një farë
kështjelle është vetë “Poema e blinduar“. Tabir Saraj është më
shumë se një kështjellë: Pallati i Endrrave është krahasuar me
ferrin e Dantes. Në fundin e viteve ‘80-të Kadare mbyllet edhe
me shumë, duke përshkruar artistikisht “Ndërtimin e piramidës
së Keopsit“. Kadare ka krijuar individë-kështjella, shtete-
kështjella, bashkësi kështjella, sikurse ka krijuar edhe qytetarin e
hapur, që realizon veten e tij në dekorin e përgjithshëm shoqëror
që e ka sjellë fati të jetojë.
Ballkanasit, ndër ta edhe shqiptarët; ballkanasit që u gjendën
bashkë në pragun e rrezikut të perandorisë së Lindjes otomane,
kanë mbetur midis urës dhe kështjellës jo aq se i janë trembur
njëri-tjetrit, por më shumë sepse sa herë që kanë tentuar të
zgjedhin të parën, janë gjendur të tjerë që Ballkanin e kanë
dashur urë për veten e tyre, jo për ata që e popullojnë. Egnatia e
vjetër romake, që kaloi mespërmes Ballkanit, e ringjallur shumë
shpesh në formën e Egnatias politike, ka synuar vërtet që këtë
rajon ta kthejë në urë, por ama në një urë që do t’u shërbente
joballkanasve. Dhe atëherë detyrimisht ka ndodhur rrudhja,
krijimi i kështjellave.

II. Ideal në të shkuarën apo në utopi?

“Ura me tri harqe”, si shumica e veprave të I. Kadaresë, nuk
mund të vlerësohet brenda estetikës së realizmit socialist.
Përpjekjet për ta vështruar në këtë kuadër, që kanë vijuar për
rreth dy dekada, duke mos qenë në gjendje të zbulonin thelbin e
veprës, ca më pak për të ndrequr metodologjikisht autorët, më së
shumti kanë çuar në konfuzion.
Balada popullore e murimit, që përbën burimin e motivit të
veprës së Kadaresë, bashkë me atë të ringjalljes, është një prej
pasurive të shkëlqimta shpirtërore të popullit shqiptar. Ajo është
ruajtur e ka shtegtuar gojë më gojë prej kohërash që s’mbahen
mend. Tek shqiptarët flijimi zakonisht lidhet me një urë ose me
një kështjellë, rrallë me murin e qytetit. Ndër grekë, sllavë e
arumunë më shumë është i përhapur murimi në urë. Tek rumunët
sundon flijimi për një faltore, si rregull manastir. Pasuria brilante
e kësaj balade, si dhe vetëdija se ajo gjendet edhe tek të tjerë, ka
ngjallur prej kohësh lakmi dhe joshje në hapësirën etnikisht të
aksidentuar të Ballkanit, ku kufijtë kulturorë shpesh janë
mospërfillës ndaj kufijve politikë. Pas shkencëtarëve, në
polemikën për autorësinë e këtyre baladave kanë hyrë edhe
shkrimtarët, të cilët, duke evokuar përmbajtjen e tyre, duke i
nxjerrë prej sfondit të mjegullt legjendar në një kuadër historik
më të përcaktuar, kanë dashur të dëshmojnë e të përforcojnë
epërsinë letrare të variantit ku janë mbështetur.
Në këtë garë për të mbërritur i pari tek burimi i kryehershëm, ku
shpesh janë ngatërruar edhe emocionet nacionale, kujtimi i të
parëve, ai që quhet “mallkim i së kaluarës” (në kuptimin e fuqisë
së saj për të diktuar), shqiptarët kronologjikisht kanë pasur
kundër vonesën e pohimit ndërkombëtar të krijimeve të tyre. Kjo
vonesë vërehet si në botimin e letërsisë popullore, ashtu dhe në
atë letërsisë artistike. “Ura mbi Drin” e I. Andriqit, e mbështetur
pikërisht mbi baladën sllave të murimit, me vëllezërit Vukashin
në qendër, u botua më shumë se një gjysmë shekulli më parë.
Murimi në urë ka hyrë shumë më herët edhe në letërsinë e re
greke. Shkrimtarët ballkanas, jo rrallë të ngërthyer keq prej të
njëjtëve komplekse të bashkësive që u përkasin, duke i kthyer
këto balada në letërsi, për të arritur me çdo kusht epërsinë, në
emër të çmitizimit të legjendës, në fakt kanë çmitizuar e
deheroizuar variantet e fqinjve. Kështu ka ndodhur, për shembull,
me trajtimin që i bëhet figurës së Gjergj Elez Alisë në tregimet e
Andriqit.
I. Kadare, me “Urën me tri harqe”, arriti të provojë se balada
shqiptare e murimit jo vetëm që s’bie më poshtë se motërzimet e
saj në hapësirën ballkanike, por ka të ngjarë të jetë, në mos më e
plotë, së paku në lartësinë cilësore të varianteve më të arrirë.
Kadare shkon drejt krahasimit letrar ndërballkanik si pa u ndier,
pa e përmendur fare vetë krahasimin, duke mos i nënçmuar
kulturat e tjera, vetëm duke afirmuar vlerat e rralla të motivit
shqiptar. Me këtë shprehet jo vetëm emancipimi qytetar i tij, por
edhe fuqia e talentit, që s’ka nevojë për tjetër gjë.
Zgjedhja që bën Kadare për subjektin e romanit të vet (urën më
parë se kështjellën, si vepër që e meriton flijimin), tregon jo
vetëm një pëlqesë vetjake të tij, por dhe prirjen tradicionale të
kryehershme të qytetërimit të shqiptarëve. Flijimi në një urë
është pranim i sakrificës për hapje, për komunikim të gjerë, mund
të thuhet për një komunikim ndëretnik, përkundër flijimit në
kështjellë, që simbolikisht lidhet me prirjen e vetëveçimit, kurse
historikisht me idenë e një rreziku apo alarmi kërcënues. “Ura me
tri harqe” ishte thirrja e autorit për të hequr dorë nga
vetëmjaftueshmëria, ishte evokimi i kohërave të hershme
arbërore, ndoshta i atyre kohërave që rapsodi popullor i shënon
shkurt: “Kur kem’ pasë besë me krajli”. Dihet se në traditën
folklorike të vendit më i përhapuri është motivi i murimit në
kalanë e Rozafës, por Kadare çmon si përparësor flijimin në urë,
për të pasur mundësi të shtrojë në një kuvend të gjatë
bashkëkohësit e vet me përvojat e historisë.
Bashkë me një varg veprash të tjera, “Ura me tri harqe” bën
pjesë në një cikël romanesh e novelash që Kadare i ka shkruar
me një qëllim të qartë për të krijuar imazhin e një “Shqipërie
tjetër”, e cila ndryshon shumë nga ajo që shihet me sy, një
Shqipëri me princër, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur,
prelatë të shkolluar, që gati ishin të përjashtuar nga letërsia si
figura me misione pozitive. Autori, në pamundësi për të shprehur
hapur mendimin e tij mbi zhvillimin e avancuar të qytetërimit
perëndimor, përpiqet t’ua tregojë këtë lexuesve duke gjetur në
traditën e “Shqipërisë tjetër” atë fazë të historisë kur vendi, edhe
sipas dijetarëve, ecte në një hap me fqinjët e tij përtej Adriatikut.
Kadare shtegtoi vendosmërisht nëpër kohëra, për të formuar një
imazh të munguar të vendit. Kjo është e drejtë e çdo krijuesi,
sidomos kur ai është me talent të fuqishëm. Krijuesve të tillë e
tashmja shpesh i robëron, nuk i kënaq, nuk u ofron dendësi
zhvillimesh. Prandaj koha e tyre individuale lëviz në mënyrë
jolineare, mund të duket mbase edhe tekanjoze, kthehet prapa
që të kërkojë argument historik dhe restauron periudha të tëra
nëpërmjet të vërtetave letrare. Duket se shkrimtari e pranon
logjikën e idiomës angleze, që thotë se “e ardhmja shihet (është)
në të shkuarën” (“The future is in the past”).
Shkrimtarin nuk mund të mos e preokupojë fakti i njohur, i
përmendur më lart, se balada shqiptare është e vetmja në
Ballkan që bën fjalë për një murim kryesisht në kështjellë. Ai
është i vetëdijshëm se kjo është kushtëzuar nga rrethanat kritike
historike që kanë shoqëruar fatin e popullit të tij. Eshtë e vështirë
që një popull vazhdimisht në restriksion (rrudhje) të vendosë
pëlqimin e urës para kështjellës. Kjo, ndoshta, është një nga
dilemat më tronditëse që kanë përjetuar shqiptarët. Ura është
për ta edhe e dëshiruar, por njëkohësisht edhe e frikshme, sepse
“në urë kalon i miri dhe i keqi, miku dhe anmiku”. Rreziku i
ekspansionit, që mund ta kthejë urën e Ujanës së Keqe në një
kuçedër, ndihet në gjithë romanin, si një kontekst historik i
domosdoshëm për të treguar se edhe në “Shqipërinë tjetër”
marrja e vendimit ka qenë e vështirë. “Via Egnatia” e lashtësisë
antike, kjo urë e qëmoçme e qytetërimeve në Europë, e inkurajon
autorin në zgjedhjen e tij, por deri në fund ai mbetet me
ngurrimin nëse do t’i lënë shqiptarët ta përdorin urën për të
mirën e tyre apo kjo do t’i kthejë ata vetë në urë për të tjerët.
Dhe e vërteta historike është se dy-tre shekuj pas urës së Ujanës
së Keqe do të mbërrinte koha e “kështjellave të qendresës”
shqiptare kundër vërshimit anadollak.
Ndër të tjera Kadarenë e ka interesuar edhe raporti i vetë
legjendës popullore me urën. Pohimi se në kohën e ndërtimit të
urës me tri harqe balada vinte në formën e rimarrjes, të riciklimit,
çka nënkupton qarkullimin e saj edhe në kohëra të mëparshme,
pajtohet jo vetëm me estetikën e brendshme të veprës, por edhe
me atë të folklorit në përgjithësi. Ai e lë të hapur debatin nëse
kënga krijon ngjarjet e befta të urës apo ura ia jep lëndën këngës.
Princi, në një bisedë me ndërtuesit e urës, u thotë që, nëse ata që
dëmtuan urën e përgatitën këtë mbrapshti me anë të këngës,
edhe ju mund të përgatitni ndëshkimin po me anë të këngës. Ky
pushtet i padiskutueshëm i baladës, që paraqitet si një “këngë që
jep urdhër”, është, në një farë mënyre, syri dhe vëmendja e
historisë, këshilla e saj. Murgu Gjon Ukcama, ligjëratën e të cilit e
merr shumë shpejt shkrimtari për ta sjellë në shqipen e sotme,
duke ia lënë atij doemos nderin e fundit, është një figurë tipikë e
periudhës humaniste, që tronditi gjithë kontinentin në kohën e
Rilindjes (Renesancës). Njeri i letrave, me interesime
enciklopedike, i aftë për të komunikuar edhe me një gjuhë që
autori e karakterizon si përzierje e latinishtes me greqishten dhe
sllavishten, interpret i botës laike me të njëjtin zell si dhe të
ungjijve, bashkëbisedues befasues i pelegrinit Brokard, ai sheh
zymtë përpara jo aq për ndonjë shkak doktrinar (fati i krishtërimit
etj.), por së pari për gjymtimet që mund t’i vijnë “botësë sanë së
dashunit”, Shqipërisë. Kalimi me elegancë i ligjëratës së tij të
drejtë në ligjëratë të drejtë të pamirëfilltë (si ritregim nga
shkrimtari), shpreh në thelb edhe zgjedhjen e tij si karakter ku
mund të shihen kryevlera.

III. Jeta dhe vdekja.

Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve,
midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më
thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të
mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Interesim
parësor i çdo letërsie serioze, një nga ato interesime që
qendrojnë mbi kohën dhe hapësirën, ky raport e zuri vendin e vet
qysh tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, roman që i
kushtohet misionit të një shtabi ushtarak të gjallë, i cili duhet t’i
bëjë nderet e fundit një armate të tërë të mbuluar me dhe.
Vlera e jetës, çmimi i vdekjes, taksa e gjakut, varrimi dhe
zhvarrimi, muranat anonime dhe piramidat hijerënda, ringjallja
dhe rivdekja (rivrasja), arka e hirit dhe dosja e zezë, kamarja e
turpit dhe përmendorja e nderit, harrimi dhe përjetësia, vetëflijimi
dhe kurbani, trupi dhe hija (fantazma, sozyja, kagemusha,
spiritus), janë nocione themelore artistike të shkrimtarit.
Në mënyrë të veçantë vdekja përbën një zgjedhje të dendur të
autorit për të dhënë qendrimin e tij ndaj jetës njerëzore. Ajo
paraqitet në formë individuale dhe kolektive, natyrore dhe
heroike, të mirëqenë dhe të sajuar. Ajo vjen nga fati, nga
hakmarrja, nga lufta, nga gjyqi, nga sëmundja, nga mplakja. Nëse
do të niseshim vetëm nga shpeshtësia e takimit me vdekjen, në
të gjitha pamjet e saj, si ndërprerje e zakonshme e jetës, si
shpagim për vdekjen e tjetrit, si prurje e lëngatës, si varje apo
pushkatim nga shteti, si zvarrisje apo linçim nga hakmarrja,
gabimisht mund të konkludohej se vepra e Kadaresë është e
pushtuar nga një nekrofili e padurueshme.
Mirëpo raporti midis jetës dhe vdekjes në një vepër letrare nuk
mund të përcaktohet me diagrama statistikore. Në një rast të tillë
do të mjaftonte “ushtria e vdekur” e “Gjeneralit...” për të
lëkundur gjithë ekuilibrin e jetës në veprën e Kadaresë, të marrë
si një e tërë. Vdekja është rimarrë nga autori në shumësi
variantesh jo nga ndonjë dëshirë e posaçme për të në vetvete,
por si ndërprerje e jetës apo si mundësi meditimi filozofik rreth
saj.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepra që i dha njohjen
ndërkombëtare Kadaresë, nuk është e para që trajton raportin
midis jetës dhe vdekjes. Qysh tek “Balada e zhvarrimit”, kushtuar
fatit post-mortem të prijësit arbër Gjergj Kastrioti, duket qartë
prirja për të zbuluar, nëpërmjet qendrimit ndaj varrit, kulturën
nga barbaria, dhunimin nga shenjtërimi, sundimin e të vdekurve
mbi të gjallët. Në variantin e parë të “Gjeneralit...”, të cilin kritika
e qortoi për pacifizëm dhe pajtim me kundërshtarin, misionit të
ushtarakëve të huaj Kadare i pati dhënë karakter kryesisht
humanitar dhe universal.
Këto qortime qysh në botimin e dytë u duk se kishin lënë gjurmën
e parashikuar. Gjenerali paraqitet me pamje agresore, i gatshëm
të japë komandën “eja në radhë!” për armatën e tij të vdekur, me
qëllim që të ndreqë gabimet trashanike të oficerëve dhe
shtabeve madhore të kohës së luftës. Me ndryshimin e karakterit
të figurës së gjeneralit ndryshon edhe vlerësimi për ushtrinë e
vdekur. Në fillim shkrimtarit dhe pastaj edhe lexuesit i imponohet
mendimi se vdekja e armatës së huaj është krenaria e vendësve.
Edhe të vdekur ushtarët e huaj mbeten njësoj agresore si të
gjallë. Edhe në paqe gjeneralët e huaj mbeten njësoj rrezik për
Shqipërinë si në kohën e luftës. “Gjenerali...”, me ribotimet që
pasuan njëri-tjetrin me shumë sukses, pa e deformuar thelbin e
tij, duke iu përmbajtur vendosmërisht lidhjes ekzistenciale midis
jetës dhe vdekjes, praktikisht i dha Kadaresë nderet e një
gjenerali të letrave.
Vdekja imagjinare është përdorur me natyrshmëri nga shkrimtari
në një varg veprash, ndër të cilat mund të veçoheshin “Natë me
hënë”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” e të tjera.
Përmendja e vdekjes, si një thirrje për të njoftuar njeriun për
shkurtësinë relative të jetës së tij, ka shërbyer si një mjet
katarsis-i. Në të kundërtën, besimi në ringjalljen e Kostandinit,
njësoj si në baladën popullore, duke qenë një mjet artistik me fuqi
shprehëse të lartë, ka qenë njëkohësisht një përpjekje filozofike
për të tronditur idhujtarinë, në çfarëdo forme qoftë, duke
përfshirë edhe vetë hyjnoren, meqë, në bazë të moralit biblik,
nuk mund të kishte më ringjallje tjetër pas Mesisë: njeriu
paskristian ishte lindur për të bërë jetën e zakonshme tokësore
dhe për të shkuar pastaj në botën tjetër të të shumtëve, pa emra
e histori, pa bëma e lavdi, në botën monotone të parajsës po aq
të boshtë sa edhe ajo e ferrit.
Kadare është përpjekur të krijojë idenë gjinikuese që qendrimi
ndaj varreve është një nga treguesit kryesorë të kulturës
kombëtare të çdo populli. Në tregimin “E krehura”, vdekja dhe
varret, në heshtjen e tyre, marrin vlerë fisnikëruese. Njeriu që
edhe me vdekjen dëshiron të tregojë dinjitet dhe fuqi shpirtërore
ka një varr të thjeshtë, pa shenjë, në një kënd të padukshëm të
varrezave verilindore të kryeqytetit, ndryshe nga shumë të tjerë,
që, në përputhje ne hierarkinë zyrtare mbitokësore, mbajnë mbi
krye statuja, ornamente, lule dhe figura. Por ata nuk kanë bërë
më shumë se Egla e vogël për Shqipërinë dhe s’kanë asnjë
meritë për të qenë të diferencuar edhe përpara vdekjes dhe
varrit. Nëpërmjet varreve Kadare ka stratifikuar gjithë shoqërinë
shqiptare në kuadrin e së cilës veprojnë personazhet e tij.
Ndëshkimi pas vdekjes është një motiv nga më të lashtët në
letërsi. Heqja zvarrë e Hektorit tek “Iliada”, dënimi me mosvarrim
i dy vëllezërve (Eteokli dhe Poliniku) që luftojnë në anë të
ndryshme të Tebës në një dramë të Euripidit, rrahja e varrit të
Halilit nga harambashët në ciklin shqiptar të kreshnikëve,
zhvarrimi i Skënderbeut nga ushtritë otomane, në njërën anë;
dhe nga ana tjetër kulti i varreve të të parëve, shenjtërimi i
“tokës vakëf”, deri tek mospërfillja e ndalimit biblik për të pasur
pas vdekjes një “varr me shenjë”, janë shprehje të mentalitetit të
lashtë ballkanik, por duket edhe universal, mbi nderin dhe turpin,
mbi turpin dhe vdekjen (“turpi është më i rëndë se vdekja”); i
tabusë (ndalimit) të ndëshkimit pas vdekjes.
Me “Kamaren e turpit” Kadare krijoi përfytyrimin e një “ndëshkimi
shembullor”, në mund të rrinë pranë e pranë këto dy fjalë me
kuptime që bëjnë ta shohin larg njëra-tjetrën. Ky është ndëshkimi
i shtetit totalitar që njeh kodin e tij dhe që nuk i përfill ligjet e
pashkruara. Konflikti midis ligjeve të bëra nga njerëzit për të
rregulluar marrëdhëniet midis tyre, nga ata që zgjidhen apo
marrin përsipër ushtrimin e politikës dhe të pushtetit, dhe ligjeve
të trashëguara “si i kanë lënë të parët”, që përbëjnë traditën e
një populli dhe kodin e vazhdimësisë së tij, është i lashtë qysh
prej formimit të moralit njerëzor. Në këtë konflikt letërsia si
rregull ka mbajtur anën e së drejtës morale, të ligjeve të
pashkruara, duke ia kundërvënë së drejtës konvencionale të
pushtetit. Kjo është edhe zgjedhja e Kadaresë.
Kadare ka qenë posaçërisht i interesuar për “zonën midis jetës
dhe vdekjes”. “Të mësosh prej tmerrit” ishte një nga parimet e
artit antik grek. Tragjeditë e Eskilit e synonin katharsis-in
pikërisht nga madhështia e së keqes, nga frika prej ndëshkimit të
ngjashëm. Tri mijë vjet më parë ndoshta grekët e vjetër ishin më
të emancipuar se shteti i përbindshëm otoman i fundit të
mesjetës. Ata e arrinin “të mësuarit prej tmerrit” përmes veprës
së artit, kurse pushteti qendror i Stambollit e shkaktonte këtë
lemeri me “aktorë” që e linin kokën në tepsi.
Shtresëzimi i shoqërisë në veprën e Kadaresë fillon me varret pa
emër, me muranat e thjeshta në gryka malesh e pusish, me
varrezat e zakonshme shqiptare, pranë kishës, rrethuar me selvi;
për të vazhduar më tej me përmendoret dhe lapidarët, me varret
e shenjtëruar për motive patriotike, siç janë varret e dëshmorëve
(le të kujtojmë, për shembull, varrin e veçantë të Alush
Tabutgjatit; varrin e Skënderbeut ose edhe të pashait turk në
Orikum) dhe për të përfunduar me piramidën e faraonit Keops
ose arkën e hirit të trupit të djegur të Çu En Lait, që, sipas
testamentit te tij, u derdh mbi hapësirën ndërkontinentale të
Kinës, për ta pushtuar me frymën e vet.
Që nga “Gjenerali...” i parë deri tek ai i fundit, që doli në
qarkullim edhe në shqip në Francë, si pjesë përbërëse e botimit
dygjuhësh të veprës së zgjedhur të tij, kohët kanë ndryshuar.
Vepra është dramatizuar nga teatri shqiptar, është ekranizuar
nga studioja e vetme e filmit në Tiranë, është realizuar si vepër
kinematografike edhe në Francë, pas një iniciative të përbashkët
të M. Mastroianni-t dhe M. Piccoli-së. Janë bërë përpjekje për të
dalë jashtë frymës së romanit, sidomos në realizimin francez, ku
vendin e raportit jetë-vdekje në një farë mase e zë raporti të
ardhur-vendës, madje me një nuancë jo të padukshme të raportit
eksploratorë-indigjenë. Por ka qenë e vështirë për të dalë jashtë
prerjes së autorit.
Tani Kadare është bërë vetë një gjeneral i letrave shqiptare dhe e
di mirë se ç’do të thotë pushtet i gjeneralit. Por vepra e tij e
dëshmoi më përpara këtë fuqi. Atëherë ai ishte 26 vjeç.
Një mision ushtarak është rikthyer dy vjet më parë në Shqipëri
me të njëjtin qëllim si gjenerali i ushtrisë së vdekur dikur. Por, siç
duket, thënia e grekëve të vjetër, që historia gjithnjë përsëritet
në formën e së qeshurës, është me vlerë për çdo rast. Misioni i
gjeneralit të parë në mesin e viteve 1960 ishte një mison
dramatik, me konflikte ndërshtetërore, me mosmarrëveshje dhe
armiqësi të ashpra. Misioni i gjeneralit të këtij viti e përsëriti të
parin pikërisht në trajtë komike. Atë nuk e pengoi ndonjë arsye
shtetërore, nuk e priti kush me armiqësi, nuk kishte më as Plakë
Nicë dhe as varre të fshehtë kolonelësh famëkëqinj. Por atë e
pengoi vetëm një copë jonxhë e një fshatari nga Vlora. Ajo ishte
ende e parritur dhe fshatari nuk pranoi të hapeshin varre mbi të
pa i ardhur koha e kositjes! Dhe gjenerali nuk dinte se si të
merrej vesh!
Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së Kadaresë edhe kuptimi i
përjetësisë. Njeriu që deshi t’i kthejë mitet legjendare në realitet,
shkrimtari që tentoi të bëjë histori prej prehistorisë, pa rënë në
kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, arsyetoi
estetikisht në mënyrë të përkorë edhe për kohën absolute. Tek
tregimi “Kënga” ai e shpjegon në një mënyrë të admirueshme
çmimin e lavdisë përtej jetës njerëzore. Përjetësia është një
nocion ku shkrimtari nganjëherë nuk i bën bisht metafizikës. Kjo
bie në sy më shumë në gjininë e poezisë.
Një dekadë e ca më parë, në një bisedë me studentët e
Universitetit të Tiranës, i pyetur rreth fatit të “Gjeneralit...” në
kinematografinë franceze, xhirimet e të cilit vazhduan së paku dy
vjet, qe përgjigjur së rëndom ndodh që vepra të rëndësishme
artistike nuk ecin mbarë në procesin e transformimit si art filmik.
Ai përmendi në këtë rast punën prej gati dhjetë vjetësh të
kinemasë perëndimore për realizimin e filmit “Kagemusha” të
japonezit të mirënjohur A. Kurosava. Atëherë kagemusha, hija,
ishte vetëm një referencë për diskutim. Në romanin “Kush e solli
Doruntinën” del për herë të parë roli i hijes në marrëdhëniet
njerëzore. Kagemusha rishfaqet si një koncept më i formuar
artistik në librin “Koncert në fund të dimrit”. Tek “Ftese në
studio” joshja për hijen, fantazmën, kopjen, alter-egon etj. gati sa
nuk e dekonspiron sekretin e autorit, mbi ekzistencën e romanit
të tij të depozituar në një bankë franceze, të titulluar pikërisht
“Hija”. Pas pranimit të mirëpritur të “Spiritus”, lexuesit shqiptar i
mbetet ta njohë edhe këtë vepër, ku sozyja, hija - as jetë e as
vdekje njëherësh - zë vendin qendror...

IV. Hapja apo mbyllja?

Kur këtu e tri dekada më parë I. Kadare u paraqit para lexuesit
me novelën “Kush e solli Doruntinën”, në shtyp, përveç ndonjë
fjale të rrallë, që, edhe në u tha publikisht, synonte denigrimin e
veprës dhe denoncimin e autorit, zotëroi heshtja. Në të vërtetë,
pavarësisht nga kjo alibi, përpunimi i opinioneve vazhdonte me
zell intensivisht. Dyshimet formuloheshin në trajtë pyetjesh,
përgjigjet e të cilave synonin një përgojim masiv të novelës: pse
shkrimtari “arratiset” në humbellat e historisë? Pak motive
frymëzuese ka në realitetin aktual, plot vrull e dinamizëm?
Ishte ky gjyqi i mendjeve mediokre, që gjenin kështu rastin të
dilnin mbi artistin e madh, duke “zbuluar” papërkryerjen e
krijimtarisë së tij. Bashkoheshin me ta një turmë studiuesish jo
më pak mesatarë, që zor se mund të gjenin vlera në një libër që
nuk i kushtohej “epokës së re”, kohës së përkëdhelur të
dekadave të pasluftës. Iso mbanin gjithfarë njerëzish të llafeve,
inatçinjsh (ti je i madh, por ne të heqim gurin e fundit),
ambiciozësh pa takat (ku i gjen, xhanëm, këto tema?!),
fanatikësh e moralistësh fjalamanë (pale po na ka futur dhe
incestin, që për ne si shqiptarë është turp, turp, turp).
Evokimi i legjendës së ringjalljes ka qenë mërgimi i parë i
Kadaresë. Ky ishte një mërgim i veçantë, me një përmasë, vetëm
në kohë, privilegj që e fitojnë, bashkë me mbikohësinë
(extemporiality), vetëm talentet e fuqishëm. Mërgimi i dytë do të
vinte më vonë. Prej shumë kohësh i shpallur. I paralajmëruar. I
pritur me dhimbjen e ndarjes, me mundimet e mallit të filluar që
para nisjes, po aq sa me fërkime djallëzore duarsh, me
kënaqësinë cinike të atij që papritur e sheh veten fare pranë
rekordit, meqë favoriti kryesor i garës diçka i ka ndodhur dhe nuk
ndodhet më në pistë.
Kritika për “braktisje të aktualitetit” nuk ishte veçse një
eufemizëm për mërgimtarin. Arratisja kishte ngjarë pikërisht
atëherë kur ndëshkimi ligjor ishte ashpërsuar në kulm. Kadare i
ishte kthyer edhe herë të tjera historisë dhe nuk qe qortuar,
përkundrazi pati marrë edhe çmime (të merituara), si, për
shembull, me “Kështjellën”. Pra, shqetësimi nuk vinte aq nga
magjepsja pas legjendave, se sa nga mosbegenisja e kohës.
Në rrethanat kur u botua, “Kush e solli Doruntinën” ishte një
sfidë. Ajo përgënjeshtronte një tezë të preferuar zyrtarisht, sipas
së cilës madhështia e kohës së re nuk mund të krahasohej me
asnjë periudhë tjetër të mëparshme, duke përfshirë, ndoshta,
edhe “monë e madh” të Skënderbeut, pavarësisht nga lavdet
romantike të rilindësve.
Kadare ekspozoi një nënshtrat krejt të mospërfillur të kulturës
kombëtare. Legjenda e Doruntinës nuk ishte “punë legjendash”,
por konkluzion i një epoke historike. Ajo shpallte lidhjet e lashta
të kulturës së popullit tonë me ato të vendeve të qytetëruara të
kontinentit. Në më pak se 50 vargje të parët e shqiptarëve jepnin
e merrnin me një botë të tërë, bënin krushqi gjer në Bohemi,
lidhnin aleanca me baronë e fisnikë të afërt e të largët, lëviznin të
sigurt në gjithë hapësirën kontinentale. Ata ishin pjesë integrale e
kësaj bote. Miqësitë e tyre gjendeshin “nëntë male kaptuarë”. Të
shkoje në viset gjermane apo dhe më tej për ta ishte njësoj si të
thoshje: “po shkoj në krushqi”.
Në Shqipërinë e mbyllur, pa një mik, pa një aleancë, pa një portë
te hapur, të fundit të viteve 1970, kjo ekspoze mund të ngjallte
zemërime e pakënaqësi, mund të shkaktonte inate e mëri. Novela
predikonte hapjen, kur politikanët kërkonin mbylljen. Autori u
paraqiste si shembull humanizmi bashkatdhetarëve të vet
lashtësinë e tyre, kur në vend zotëronte një pikëpamje çuditërisht
e ngulitur, sipas së cilës vlerat e vërteta ishin krijuar në katër
dekadat e fundit.
Mbështetur mbi motive të baladës së Doruntinës kishin shkruar
vepra të bukura autorë të përmendur nga shumë vende të
Europës: gjermanë më shumë (si për të mirëpritur lidhjen e
dikurshme), sllavë, grekë. Ishin shkruar romane, tregime, poema;
lënda e saj brilante ishte përdorur e keqpërdorur në opera e
balete. Ishte hera e parë që një shkrimtar shqiptar merrej me atë
që mund të konsiderohet një nga kryeveprat themelore të
universit letraro-artistik të botës sonë. Qe fat që ai qe një
shkrimtar i madh.
E lakmuar nga shumë njohës të vlerave estetike, e reklamuar nga
plot studiues si pronë shpirtërore e popujve të tyre, Doruntina
kishte nevojë për mbrojtje, ndërsa shqiptarët e kohëve moderne
për mesazhin humanist të legjendës së njohur me emrin e saj.
Një mijë e ca vjet pas ringjalljes së Krishtit arti i arbërve shpallte
një ringjallje tjetër, rilindjen e njeriut për të shlyer pengun e kësaj
jete. Mesazhi i Kostandinit është thirrja për një rilindje morale.
Nuk dihet se kur ka qenë ajo më e nevojshme, në kohën e krijimit
të baladës së popullit apo të veprës së shkrimtarit.
Kadare, siç u tha në kohën e botimit të novelës, iu qas baladës
për ta çmitologjizuar atë, ndoshta i vetmi konstatim i drejtë i
kritikës. Për këtë ai u referohet përfundimeve të shkencës
folklorike, interpretimeve të saj. Duke e rikonstruktuar fabulën e
legjendës në disa versione, sipas këtyre interpretimeve, autori
theksonte shumësinë e alternativave e të mundësive, në një kohë
kur çmohej konformizmi e nuk njihej e drejta e të menduarit
ndryshe.
Nga të gjitha versionet shpjeguese të shkaqeve të ngritjes së
Konstandinit nga varri më shumë mospranim ka ngjallur ai i një
incesti të pakryer në të gjallë. Ndonëse ky interpretim nuk ishte
aspak i autorit, por i disa albanologëve të njohur, midis tyre edhe
i M. Lambercit, ai u konsiderua një paturpësi, një fyerje për
moralin e shëndoshë kombëtar etj. Me këtë rast u harrua edhe
një fakt i tillë fare fillestar, fakti që sipas shpjegimit më fanatik të
historisë se universit, sipas Bilbës, njerëzimi ka që në themel të
tij, që në shfaqjen e krijesës së parë të hyjnisë, një incest, madje
një incest lebetitës, të pashembullt, atë të Adamit me Evën, që
hyji ia nxori burrit nga një brinjë e vetvetes. U harrua gjithashtu
fakti tjetër, që në Shqipëri deri vonë kishte qenë praktikë e
rëndomtë bigamia e poligamia, e, për rrjedhim, raporti Fedër -
Teze ishte fare normal.
Incesti u gjend në qendër të vëmendjes më shumë si denoncim i
“imoralitetit” të novelës. Kështu ishte më e lehtë të ndërsehej
lexuesi mesatar kundër saj dhe të krijoheshin opinione refuzimi
për shkrimtarin. Vetëm me këtë mund të shpjegohet ngulmimi
kokëfortë tek versioni i incestit, të cilin, në fund të fundit, Kadare
e ngre për ta rrëzuar atë, e ngre sepse e kanë ngritur të tjerët e
nuk mund të mospërfillet. Ai kështu vepron edhe me versionet e
tjera, gjersa lexuesit i mbetet të pranojë si shpjegimin më më
arsyeshëm atë të ringjalljes si mesazh përkryerje, në prag të një
epoke të re, në vigjilje të një rreziku të përbindshëm, afrimi i të
cilit duhej t’i gjente arbërit në besë të njëri-tjetrit dhe me pushtet
të përforcuar me anë të miqësive, krushqive, aleancave e
marrëveshjeve (Eshtë për t’u vënë re se, pikërisht në kohën kur
Kadare akuzohej për shkeljen e tabusë së incestit, në “menunë
muzikore” të E. Hoxhës, që ruhet në arkivat e vendit, “Tristani e
Izolta” e Vagnerit rezultojnë të porositura disa herë).
Doruntinën e solli, në fund të fundit, një i ringjallur, një i rilindur,
njeriu i parë i Renesancës shqiptare. Ky ishte një tërmet i vërtetë,
një shpërthim humanist i shkëlqyer. Bota shqiptare në çastin
kritik kishte nxjerrë një Mesi. Ajo bëri të perëndishëm një arbër të
thjeshtë, për të cilin nuk dihet asgjë më tepër, përveç që ishte
vëlla i Doruntinës, madje më “i vogëli(th)”.
Pasqyra që u vuri përpara Kadare bashkëkohësve mund t’i bënte
ata të ulnin kokën. Atëherë shiheshin vëngër me humanizmin. Ajo
ishte një thirrje e fuqishme kundër errozionit dhe shpërbërjes së
vlerave shqiptare. Një popull që ia kishte rrëmbyer Krishtit një
mijë vjet më parë ekskluzivitetin e ringjalljes (para gjyqit të
fundit) ishte në gjendje e duhej të gjente fuqi për ta evituar
krizën morale eventuale. Mirëpo, siç thuhet në shkrimin e
shenjtë, “profetët nuk dëgjohen në vendin e vet”.
Në deklaratën dhënë shtypit për të shpjeguar arsyet e largimit
fizik nga vendi, në tetor të vitit 1990, një dekadë pas “mërgimit
të parë”, Kadare theksoi se nganjëherë mungesa është më e
dobishme se prezenca. Një eklips fare i shkurtër të kujton se jeta
në planetin tonë padyshim do të kishte qenë e pamundur pa
diellin. Mërgimi i Kadaresë do të shembte shumë iluzione e do t’i
bënte të vetëdijshëm njerëzit për detyrat e tyre. Doruntina, e
ringjallur prej tij mjeshtërisht nga arkivat, do t’u vinte në ndihmë
përsëri njerëzve shqiptarë, ashtu siç iu pat gjendur asaj dikur i
vëllai, Konstandini. Balada e saj ishte strehë për kohë të vështira,
ushqim për të mundur mospasjen, për të frymëzuar dinjitet
njerëzor kur ai rrezikohet nga përtharja.
Në qoftë se kritika për braktisje të aktualitetit nuk ishte veçse
eufemizëm për mërgimin, po ashtu, akuza për “modernizim të
historisë” nuk ishte gjë tjetër veçse një eufemizëm për të
ashtuquajturin “romantizëm nacional” shqiptar. Pak kohë më pas
shkrimtarët e shquar të Kosovës do të gjendeshin nën një akuzë
edhe më të rëndë ”si krijues të një idoltarie të fryrë (të rremë)
nga pozita irredentiste”. Kritikëve tanë kjo mundësi u mungoi:
nuk mund të shpikej dikush që të ishte i interesuar për
“irredentizmin” e Kadaresë.
Ndoshta në këtë vlerësim ka edhe ekzagjerim. Por mund të
pohohet me siguri që në qoftë se Kadare me “Doruntinën” u
përpoq t’i kthejë vatrës shqiptare një visar të rrallë të grabitur,
kritikët e tij u shërbyen rrëmbyesve.
PJESA II

(DISKUTIME, POLEMIKË)
1
SI U GJET POEZIA “NË MESDITË BYROJA POLITIKE U MBLODH”

I nderuar zoti Ismail Kadare,
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka qenë e
vëmendshme ndaj shqetësimit tuaj të ligjshëm për fatin e poezisë
“Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e njohur më shumë me
emrin “Pashallarët e kuq”, e cila, për vetë rrethanat në të cilat u
hoq nga shtypi e u censurua, mendohej e zhdukur.
Duke qenë (për shkaqe politike, jo të tipologjisë së dokumentit) e
bashkëlidhur me fonde arkivore të administratës partiake dhe
shtetërore të periudhës ideokratike, fatkeqësisht, deri para një
viti çdo kërkim rreth gjurmëve të kësaj poezie ishte juridikisht i
kufizuar. Sipas ligjit nr. 7726, datë 29.06.1993, “Për fondin
arkivor kombëtar dhe për arkivat”, këto dokumente vlerësohen të
këshillueshme dhe të shërbyeshme pasi janë mbushur 25 vjet
nga data e krijimit.
Gjatë muajit të fundit, rreth përmbajtjes së poezisë “Në mesditë
Byroja Politike u mblodh”, në shtypin e këtushëm nisi e u zhvillua
një diskutim i ashpër, herë-herë i dyshimtë për vlerat e tij
kulturore e qytetare. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në
kuadrin e përpjekjeve të saj për të asnjanësuar shfrytëzimin e
burimeve arkivore për qëllime të pashpallura, qendroi në largësi
ndaj kësaj polemike dhe nuk ndërmori vetë ndonjë iniciativë
kërkimi.
Me keqardhje ju pohoj gjithashtu se, deri para pak ditësh, asnjë
nga pjesëmarrësit në diskutimin e hapur nuk ka kërkuar shërbim
dokumentesh nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për këtë
poezi e për gjithçka që lidhet me të.
Më 11.03.2002, kryeredaktori i “Gazetës shqiptare” z. Arian Çani i
drejtoi Arkivit Qendror Shtetëror një letër, përmes së cilës
kërkohej leje për të këshilluar fondet dokumentare në të cilat
mund të gjendej poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”,
ose ndonjë mbijetojë e saj2.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i ofroi menjëherë gazetarit të
autorizuar shfletuesin emëror të autorëve pajtimtarë të këtij
institucioni për të vlerësuar fillimisht nëse kishte këshillime të
mëparshme ose kërkesa të prapësuara. Të dhënat dëshpëruese
të këtij kërkimi u botuan. Paralelisht, për të shpejtuar shërbimin,
nga ana ime u ngarkua të punojë një prej arkivistëve më të
përgatitur të AQSH, njohës i topografive burimore të fondeve
dokumentare. Z. Kujtim Nako, që e kreu këtë shërbim, më ka
bërë të ditur se ka, gjithnjë të bashkëlidhura me dokumente
administrative, edhe mjaft shkrime e dorëshkrime të tjera tuajat,
që mbeten për t’u përveçuar hap pas hapi.
Ne e përjetuam me një kënaqësi emocionuese gjetjen prej tij të
tekstit të shtypshkruar (machina-scriptum) të poezisë “Në
mesditë Byroja Politike u mblodh”. Mosbesimi i përgjithshëm se
kjo poezi mund të kishte mbetur e ruajtur vërtitej edhe në
mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. E çmoj si
privilegj (dhe mendoj se i tillë do të ishte për këdo që do të
gjendej në vendin tim) që isha një prej lexuesve të parë të kësaj
poezie të zhdukur për 27 vjet.
Megjithëse botimi i saj sigurisht do të jetë një ngjarje kulturore
dhe do të ndikojë në shëndoshjen e frymës së diskutimit të
deritashëm; megjithëse ka një padurim të nënkuptueshëm në
opinion për pritjen e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në
përgjigjen për kryeredaktorin e “Gazetës shqiptare” z. Arian Çani
u vetëkufizua për të njohur si të drejtë të saj shërbimin e
menjëhershëm, duke arsyetuar se një dëshmi krijuese nuk mund
të trajtohet me të njëjtën normë si një akt administrativ.
Argumenti që u parashtrua nga ana jonë është shprehimisht:
Sipas ligjit nr. 7726, datë 29.06.1993, “Për fondin
arkivor kombëtar dhe për arkivat”, si rregull
dokumentet vlerësohen të hapura dhe të shërbyeshme
25 vjet pas datës së krijimit. Terminologjikisht ky
standard është i vlefshëm për dokumentet
administrative. Poezia “Në mesditë Byroja Politike u
mblodh”, duke qenë krijimtari, nuk mund të trajtohet
me të njëjtin standard. Megjithëse në ligjin shqiptar për
shërbimin arkivor nuk ka përcaktime të drejtpërdrejta
për mbrojtjen e së drejtës së autorit; duke qenë se
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka njohur dhe
pranuar Marrëveshjen e Përgjithshme Ndërkombëtare
për Shërbimin Arkivor ISAD (G), si dhe Vendimin
Këshillimor nr. 13 (2000) të Këshillit të Europës “Për një
politikë arkivore të përbashkët”, ku përgjegjësia ndaj së
drejtës së autorit vlerësohet si pjesë përbërëse e
respektit për të drejtat e njeriut, përkohësisht jemi të
rezeruar në shërbimin e poezisë “Në mesditë Byroja
Politike u mblodh”, pa marrë paraprakisht pëlqimin e
autorit.
Bashkë me këtë letër dhe me urimet tona të përzemërta për
ritakimin tuaj me këtë pjesë të vetës krijuese pas një pritjeje më
se çerekshekullore, po ju dërgojmë një kopje të njënjëshme të
poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e cila, nëse do t’ju
jenë të nevojshme, ka këto referenca arkivore: “Fondi 14 -
struktura ‘organet udhëheqëse’; viti 1975, dosja 363”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave lutet për dhënien e pëlqimit
tuaj për plotësimin e kërkesës së ardhur nga kryeredaktori i
“Gazetës shqiptare” z. Arian Çani. Këtë ju mund t’ia bëni të ditur
Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave përmes faksit apo postës
së numerizuar, ose “Gazetës shqiptare” drejtpërdrejt.
Në pritje të vendimit tuaj, ju siguroj, i nderuar zoti Ismail Kadare,
se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ruan për Ju ndjenjat më të
përveçme të stimës dhe të simpatisë2.

__________
1. Letër e autorit drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare për ta njoftuar
për gjetjen e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” dhe për
të kërkuar dhënien e lejes për botimin e saj, Tiranë-Paris 14 mars
2002.
2. Redaksia e “Gazetës shqiqiptare“ ngarkoi për këtë shërbim
gazetarin I. Babaramo, të cilit, dokumenti i gjetur nga specialisti i
arkivistikës K. Nako, iu dorëzua me shkresë përcjellëse për
redaksinë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm.
3. Në përgjigjen e tij, që mban të njëjtën datë, shkrimtari I. Kadare
shprehet: “Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, Dr. Shaban Sinani.
Zoti Drejtor i Përgjithshëm, Ju falënderoj për mundësimin e gjetjes
së poemës sime të humbur. Ju autorizoj dhënien për botim në
shtypin shqiptar të kësaj poeme … Me respekt, Ismail Kadare. Paris,
14 mars 2002”.

1
LETËRSIA QË FLE NË ARKIVA

Pyetje: Cila ka qenë rruga që ka ndjekur poezia
“Pashallarët e kuq” deri sa mbërriti në AQSH? A mendoni
se mund ekzistojë ndonjë kopje tjetër e saj?

Përgjigje: Poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, siç del
nga të dhënat e përshkrimit arkivor, deri në fund të viteve 1990
është ruajtur në arkivin qendror të ish-partisë komuniste. Me një
vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, në vitin 1992
pasuria e këtij arkivi u dorëzua në Arkivin Qendror Shtetëror, si
trashëgimi dokumentare publike. Procesi i dorëzimit të arkivave
partiakë në AQSH dhe në rrjetin e arkivave vendorë ka qenë
relativisht i gjatë. Poezia e I. Kadaresë u bë pronë dhe vlerë e
Arkivit Qendror Shtetëror me shtetëzimin e arkivit të ish-partisë
komuniste.
Teksti që iu shërbye “Gazetës shqiptare”, sipas kërkesës së saj,
27 vjet më parë i është dorëzuar gazetës “Drita” për botim nga
autori. Kjo është e provueshme. Kur poezia u ndalua dhe çështja
u bë politike, teksti i shkronjësuar (daktilografuar) u është
dërguar strukturave udhëheqëse të partisë për të vlerësuar
qendrimin e tyre. Mendoj se poezia e Kadaresë i ka shpëtuar
zhdukjes pikërisht falë faktit që u bë objekt i një korrespondence
zyrtare. Me këtë rast ajo mori vlerën e një dokumenti, në
kuptimin burokratik, dhe shërbimi arkivor detyrimisht duhej ta
ruante.
Eshtë e mundshme që të gjenden edhe versione të tjera të kësaj
poezie. Ditën që u gjet, kur DPA i bëri të njohur autorit një
përshkrim të shkurtër të saj, Kadare pyeti nëse kishte, bashkë me
tekstin e shtypshkruar, edhe tekst në dorëshkrim. Ai tha se
poezia i ishte konfiskuar bashkë me të gjitha shënimet e dorës,
që duhej të ishin shumë. Këto shënime do të shprehnin
reflektimet e autorit mbi një tekst bazë apo meta-tekst. Ndoshta
këto shënime gjenden në ndonjë fond tjetër. Në çdo rast, poezia e
përfunduar është ajo që u botua nga “Gazeta shqiptare”. Kopje
apo versione të tjera të saj mund të jenë të vlefshme vetëm për
studime psiko-kritike, në lidhje me procesin dhe laboratorin
krijues të autorit.

Pyetje: Dorëshkrimi i zhdukur i poezisë “Në mesditë
Byroja Politike u mblodh” u gjend në fondet e Arkivit
Qendror Shtetëror vetëm dy ditë pas paraqitjes së
kërkesës nga “Gazeta shqiptare”. Si e shpjegoni ju këtë?

Përgjigje: Kjo është shpejtësia e zakonshme e identifikimit të
dokumenteve në rrjetin arkivor shtetëror të Shqipërisë. Arkivi
Qendror Shtetëror, ku u gjend dorëshkrimi i Kadaresë, ka
shfletues (skedarë) tematikë, emërorë, kronologjikë dhe
strukturorë që lehtësojnë e drejtojnë kërkimin. Afro një milionë
skeda dhe rreth 1,2 milionë njësi titullimi në inventarë bëjnë të
ditur se cila është pasuria arkivore e vendit. Kjo pasuri ka një
topografi burimore të qendrueshme. Si rregull, arkivisti duhet ta
përveçojë qenien dhe vendndodhjen e dokumentit brenda më
pak se një gjysmë ore. Këtë mund ta bëjë edhe një studiues apo
kërkues i jashtëm, nëse di të shfrytëzojë mjetet e kërkimit
arkivor.

Pyetje: Duke qenë kaq e lehtë puna, pse Drejtoria e
Përgjithshme e Arkivave nuk ndërmori vetë një nismë për
kërkimin e dorëshkrimit të Kadaresë, në kushtet e
polemikës së ashpër që shpërtheu?

Përgjigje: Nuk është një funksion parësor i shërbimit arkivor të
bëjë vetë kërkime. Në disa vende, si Turqia, arkivistët e kanë të
ndaluar me ligj të bëjnë vetë kërkime. Ligji shqiptar për arkivat
nuk e përmban një ndalim të tillë. Por ai thekson se arkivat
ofrojnë shërbim për qytetarët dhe institucionet. Drejtoria e
Përgjithshme e Arkivave e ndoqi me vëmendje debatin që u
zhvillua për këtë dorëshkrim. Por arkivistët e Shqipërisë
njëkohësisht mbetën gojëhapur kur njerëz që s’kishin marrë
mundimin të kërkonin gjurmë të veprës as me telefon, bënin
thirrje dhe madje kërcënime për “hapje të arkivave”. Mjedisi i
turbullt që u krijua nga prijësit e kësaj polemike ishte gjithashtu
një shkak që arkivi të qendronte në largësinë e nevojshme të
vetëmbrojtjes. Ju patët meritën që gjetët portën ku duhej trokitur.
Kjo portë, siç e vërejtët, ishte e hapur. Kjo ndodh rregullisht çdo
vit me rreth 20-25 mijë qytetarë, që përfitojnë shërbim arkivor në
gjithë vendin.

Pyetje: Por ju jeni njëherësh studiues i veprës së I.
Kadaresë, keni botuar një monografi për veprën e tij
letrare. Si është e mundur që iu shmangët kërkimit?

Përgjigje: Ju duhet ta dini se, deri para një viti, për shkak se ligji
për shërbimin arkivor në Shqipëri e parasheh afatin normativ të
maturimit të dokumenteve për shërbim për 25 vjet, dorëshkrimi i
I. Kadaresë gjendej në kushte të kufizimit ligjor. Përveç kësaj, ish-
arkivi i partisë së punës, ku ruhej poezia, deri në vitin 2000 nuk
ishte marrë në dorëzim ende tërësisht në Arkivin Qendror
Shtetëror. Në parimet e mia të drejtimit të arkivave të Shqipërisë
ka qenë dhe është se çfarë përcaktohet e ndaluar për qytetarin
është e ndaluar edhe për mua. Shpesh precedenti bëhet më i
rëndësishëm se vetë ligji. Ka qenë ky parim që ka ngadalësur
ngasjen time për kërkim. Vitin e fundit, kur kjo pengesë u
tejkalua, ne nuk na mbeti veçse të bëjmë me dhimbje sehir se si
diskutohej për veprën e Kadaresë nga një shumicë njerëzish që
kishin mësuar diçka për të si në këngët “majekrahi”. Edhe herë të
tjera ka ndodhur që njerëz rastësorë të marrin përsipër të
gjykojnë vlera monumentale arkivore, bie fjala, vlerën e kodikëve
të Shqipërisë, pa pasur rast t’i shohin njëherë për së afërmi. Një
prej këtyre njerëzve të zotë për gjithçka shprehet në një film
dokumentar se dorëshkruesi i të famshmit “Codex Purpureus
Beratinus” duhet të ketë qenë “ndonjë murg i zoti“, pa e ditur se
ka afro një shekull e gjysmë që studiuesit francezë kanë sjellë
argumente se autori duhet të jetë jo një murg anonim, por një
prej katër patrikëve më reformatorë në gjithë historinë e
krishtërimit, si shën Gjon Gojarti (Batifol: “Voyez les lettres de cet
évangile écrit par le propres mains de saint Jean Chrysostome“).
Në situata të tilla, kur krijohet konfuzion, duke i shmangur me
qëllim burimet arkivore, botimi i këtyre të fundit bëhet një detyrë
qytetare dhe tejkalon çdo frenim.

Pyetje: Ndërkaq, dokumente të tjera që lidhen me poezinë
e I. Kadaresë dhe me qendrimet e veprimtarëve politikë të
Shqipërisë në vitet 1970 janë botuar më herët. Eshtë bërë
i njohur një diskutim i Dritëro Agollit dhe një autokritikë e
vetë Kadaresë. A është burimi i tyre Arkivi Qendror
Shtetëror?

Përgjigje: Këto dokumente nuk janë shërbyer nga rrjeti
shtetëror arkivor. Për t’u bindur për këtë ju mund të këshilloni
skedarin e kërkuesve. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave po
të ketë një kërkesë, duhet të identifikohet si kërkues dhe duhet
të përshkruajë objektin e porosisë. Jashtë çdo dyshimi, përfituesit
e shërbimit do t’i ishin nënshtruar së njëjtës “burokraci”, siç e
quajtët ju, si në rastin e këshillimit të veprës së Kadaresë. Eshtë
parim themelor në shërbimin arkivor të Shqipërisë që çdo kërkim
duhet të dëshmohet me praktikë të shkruar. Drejtoria e
Përgjithshme e Arkivave, në veprimtarinë e vet, nuk ka lejuar
standarde të dyfishta. Nëse për botimin e poezisë “Në mesditë
Byroja Politike u mblodh” I. Kadaresë iu kërkua leja e botimit, në
përputhje me të drejtën e autorit, për të njëjtat arsye do t’i
kërkohej kjo leje kujtdo në rastin e shërbimit të dokumenteve me
karakter krijimtarie, pra, të atyre dokumenteve që nuk përbëjnë
akte administrative. Kjo është jo vetëm pjesë e mirësjelljes
qytetare, por edhe një përgjegjësi ligjore. Nëse një akt është
shkruar jashtë funksionit shtetëror, qoftë ky diskutim apo
autokritikë, botohet me pëlqimin e vetë autorëve. Ndryshe është
kur një burim arkivor përbën dokument të përgatitur në emër të
detyrës apo funksionit. Kjo është pasuri publike dhe mund t’i
jepet publikut sipas rregullave të arkivave.

Pyetje: Mirëpo, qoftë autokritika e Kadaresë, qoftë
diskutimi i Agollit, logjikisht duhej të ishin në të njëjtin
burim me poezinë…

Përgjigje: Unë nuk e përjashtoj që ato të kenë qenë në të njëjtin
burim. Por mund të jenë shmangur kohë më parë prej burimit.
Eshtë një fakt i njohur se për disa vite me radhë, që përtakojnë
me kohën e dorëzimit të fondeve të arkivit të ish-partisë
komuniste, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave është
punuar edhe nga zyra e zyrtarë pa titull, që kanë këshilluar
dokumente pa lënë gjurmë. Mijëra foto të njerëzve shqiptarë me
E. Hoxhën e të tjerë u përzgjodhën për t’u përdorur si mjete
ndikimi. Kërkime e fotokopjime dokumentesh janë bërë veçmas
për njerëz me emër, që mund të kushtëzoheshin për t’u bashkuar
në një politikë. Shumica e këtyre dokumenteve tashmë e kanë
humbur vlerën e trafikut të ndikimit politik, por ato mund të
përdoren në fushata të shëmtuara të shpërvetimit
(depersonalizimit) të njeriut. Kjo është një prirje që identifikon
njerëzit që ende nuk janë ndarë nga egërsia. Bota e sotme ka
marrë përsipër të krijojë personalitete prej pakogjësë. Njerëz krejt
të rëndomtë hyjnë nën vëzhgimin e syrit të rreptë të “Vëllait të
madh” (“Grande fratello”) dhe brenda një kohe të shkurtër fitojnë
famë e simpati popullore. Eshtë e dhimbshme të vëresh se ç’zell
tregohet ndër njerëz shqiptarë për të bërë të kundërtën: për të
shembur vlerat e personaliteteve dhe për t’i zhytur me epsh në
baltë, po të jetë e mundur më thellë.

Pyetje: Në letrën tuaj drejtuar I. Kadaresë ju shkruani se
gjenden edhe shkrime e dorëshkrime të tjera të tij në
Arkivin Qendror Shtetëror. Ç’përfaqësojnë këto
dorëshkrime? A ka në AQSH vepra të tjera letrare të I.
Kadaresë, ende të pabotuara?

Përgjigje: Së pari, Ismail Kadare është fondkrijues dokumentesh
zyrtare si ish-deputet, sido që kjo pjesë e veprimtarisë së tij nuk
ka qenë asnjëherë parësore për të dhe nga pikëpamja e
burimologjisë këto dokumente për fondkrijuesin vetë nuk besoj se
shtojnë gjë. Sikurse dihet, veç kësaj, Kadare ka pasur
letërkëmbim me emërtesën e lartë politike të periudhës
ideokratike. Nuk është ndonjë e dhënë e rëndësishme, por po
përmend që në Arkivin Qendror Shtetëror ruhen edhe fotokopjet
e dokumenteve të porositura nga Kadare në kohën e përgatitjeve
për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, si dhe shënimet mbi to.
Shërbimi arkivor në Shqipëri u ndërtua dhe trashëgoi një edukatë
të rreptë pune. Gjithë pasuria dokumentare është ruajtur me
përgjegjësi, deri tek mbitekstet në formë këshillash, porosish apo
urdhërash. Kjo ka ndodhur njësoj si me ata që shpalleshin armiq,
si me kundërshtarët e tyre. Partizanë e ballistë, klerikë të
rroposur e ateistë ngadhënjyes, gjyqtarë të rreptë e të paditur të
ngratë, aq të ndërkryer kundër njëri-tjetrit në jetën publike, në
arkiva qendronin pranë e pranë, pa kurrfarë karshillëku ndaj njëri-
tjetrit.
Në dorëshkrimet e tjera të I. Kadaresë që gjenden në pronësi të
AQSH ka gjykime të vlefshme për letërsinë, sidomos për veprat e
tij fatmbrapshta, që nuk kanë qenë të kufizuara. Kadare shpesh
është detyruar të japë shpjegime dhe të eufemizojë ideshmërinë
e librave të tij për t’i shpëtuar nga ndalimi.
Pyetje: Si studiues i letërsisë bashkëkohore dhe si autor i
pjesës për Kadarenë në një tekst për shkollat e mesme,
ç’mendoni për “Pashallarët e kuq”, çfarë vendi zë kjo
poezi në tërësinë e veprave të Kadaresë?

Përgjigje: Mendoj se vepra e Kadaresë ka një ekuilibër të
brendshëm të qendrueshëm, që pak mund të ndikohet qoftë nga
“Pashallarët e kuq”, qoftë nga ndonjë krijim tjetër. Mungesa për
një kohë të gjatë i dha kësaj poezie një rëndësi dhe vëmendje
jopërpjesëtimore me vlerën e saj. “Në mesditë Byroja Politike u
mblodh” është një poezi që mund të shërbejë për të verifikuar
raportet e shkrimtarit me politikën zyrtare. Pyetja e parë që
mund të bëjë studiuesi është: deri ku shkonte e lejuara dhe ku
niste e ndaluara. Përgjigjja njëkohësisht do të vlente edhe për të
njohur shkallën e lirisë dhe të kontrollit në periudhën ideokratike.

Pyetje: Kjo poezi ka shkaktuar shumë polemika, madje
është debatuar gjatë dhe para botimit të saj. Sipas jush
cili është shkaku që e bënte kaq të ashpër këtë debat? Cili
është opioni juaj si studiues, në këtë mori opinionesh kaq
të kundërta për “Pashallarët e kuq”, për veprën e
Kadaresë në tërësi, si dhe për rolin që ka patur ajo në
jetën shqiptare?

Përgjigje: Mendoj se disa prej pjesëmarrësve në debat harruan
diçka thelbësore: që kritika apo studimet letrare, në raport me
letërsinë, janë fatalisht aposteriorike. Për të pasur studime letrare
në fillim duhet të ketë letërsi. Për poezinë “Në mesditë Byroja
Politike u mblodh” vlerësimet u bënë nga një marrëdhënie e
kundërt. Kur kritika pretendon të dalë para letërsisë, nuk mund të
pritet klimë e shëndetshme debati. Mendimi im është se emri I.
Kadaresë jo rrallë është përthirrur në polemika fiktive jo aq për të
njohur opinionin me vlerat e veprës së tij, se sa për t’u dhënë
vëmendje atyre që kanë hyrë në debat.
Me botimin e poezisë kushtet për të gjykuar janë tashmë të plota.
Me keqardhje vërej se, edhe në këtë fazë, me apo pa dashje,
përjashtohet kushtëzimi tekst dhe kontekst, art dhe horizont
pritjeje.
Në kohën e sotme, kur bota e vlerave kulturore shkon
progresivisht drejt globalizimit, çështja më delikate e kulturave të
vogla është të gjejnë një ekuilibër të frytshëm ndërmjet
promovimit dhe mbrojtjes (promotion-protection). Vepra e
Kadaresë është promovuese ndërkombëtare e kulturës shqiptare.

Pyetje: Çfarë çmoni më shumë në zhvillimet e javës së
fundit për fatin e poezisë “Pashallarët e kuq”?

Përgjigje: Frytshmërinë dhe shpjetësinë e kërkimit dhe të
shërbimit të arkivistëve të Shqipërisë (veçmas të z. Kujtim Nako);
nismën tuaj për të kërkuar burimin e polemikës dhe për ta kthyer
atë në një hapësirë reale, kujdesin e arkivistëve shqiptarë për të
ruajtur etikën publike, vendimin e menjëhershëm dhe pa asnjë
hezitim të I. Kadaresë për të lejuar botimin (madje pa e pasur
ende tekstin në dorë), maturinë e studiuesve profesionistë për të
mos ndërhyrë para kohe në receptimin e parë të kësaj vepre nga
lexuesi i zakonshëm.

Pyetje: A ka vepra të tjera që gjenden në dorëshkrim në
AQSH?

Përgjigje: Në AQSH fle një lëndë letrare dhe shkencore masive,
me vlera të paimagjinueshme. Ende nuk janë zbuluar rilindësit.
Pas botimit të monografisë për Thimi Mitkon, në AQSH kanë hyrë
mbi 5 mijë fletë dokumente që lidhen me veprimtarinë e tij
krijuese. Noli është një prej personaliteteve më të ndriçuar, por
deri më sot nuk është botuar asgjë nga përkthimet e letërsisë
ungjillore dhe litugjike të tij, që përbëjnë qindra faqe. Në fondin e
Lef Nosit gjenden pasuri shkencore dhe letrare me karakterin e
një biblioteke, por deri tani nuk është nxjerrë nga dosjet qoftë
dhe një fletë e vetme. Dorëshkrimet e një grupimi të madh
studiuesish kanë mbetur mënjanë për shkaqe politike. Në AQSH
ruhet një regjistër me mbi 100 mijë referenca për kulturën
shqiptare, hartuar nga Zef Valentini. Nga atë Gjergj Fishta ruhen
vizatime e peizazhe interesante, duke përfshirë një telajo me
imazhin e një xhamie në Elbasan. Një shumicë veprash të
shkrimtarëve të periudhës midis dy luftërave janë me autorësi të
paidentifikuar (një prej tyre nënshkruan me emrin “Olason”). Disa
dorëshkrime kanë mbetur të harruara për shkak të gjuhës. Një
autor nga Shkodra ka në AQSH ndoshta 300 mijë vargje të
shkruara në shqip me alfabet rrokjesor (silabik). Ka vepra letrare
që u janë konfiskuar shkrimtarëve të dënuar. Në fondet arkivore
ruhen poezi të Lame Kodrës dhe një roman i papërfunduar i Koço
Tashkos. Ka shumë shkrimtarë që veprat e tyre ua kanë dhuruar
në dorëshkrim ish-funksionarëve të lartë të emërtesës së vjetër
dhe tani ruhen në fondet e arkivit të ish-partisë komuniste. Një
mori veprash: poema, romane, kantata, deri operata e gjini të
mëdha të muzikës, janë shkruar e dhuruar prej tyre në vitin 1985,
me vdekjen e E. Hoxhës, sidomos më 1988. Ndoshta përfytyrimi i
deritashëm për historinë e letërsisë shqipe është i kufizuar. Prirja
e sotme, për të shkruar libra duke u mbështetur mbi librat, duke
kryqëzuar apo mesatarizuar pikëpamje dijetarësh me qendrime
të kundërta, që vjen prej dembelizmit mendor, pa u kthyer
përsëri tek burimi, zgjat gjumin e kësaj tradite.

1. Intervistë botuar në “Gazeta shqiptare”, më 16 dhe 18 mars 2002.
1
“DOSJA K”, KADARE ZYRTARISHT

Pyetje: Çfarë ju ka nxitur të merrni vendimin për botimin
e një libri me dokumente për kritikën e fshehtë për veprat
e I. Kadaresë?

Përgjigje: Në këto dokumente gjenden disa të vërteta që duhen
botuar, për të mos lënë hapësira të zbrazëta, që të harxhohen
përsëri energji në boshllëk, siç ndodhi me poezinë “Në mesditë
Byroja Politike u mblodh”, për të cilën u bënë aq shumë debate, u
parashtruan aq shumë hipoteza dhe madje u shkruan edhe libra,
para se ndokush të ndërmerrte një kërkim arkivistik, qoftë edhe
fillestar.

Pyetje: Në krahasim me çfarë ka shkruar vetë Kadare për
qendrimin që ka mbajtur shteti komunist ndaj veprës së
tij, çfarë mendoni se do të shtojë ky botim dokumentar?

Përgjigje: Gjithnjë kam menduar se Kadare e ka tepëruar pak
me pohimet e tij për çka u kanosej veprave të tij në diktaturë. Më
duhet të pohoj se, pas botimit të këtij libri, nuk do të jem i vetmi
që do të duhet të ndryshojë mendim. Shumë të vërteta mbeten
“të burgosura” në arkiva. Mjaft të kujtoni atmosferën e debatit
fiktiv që mbështolli poemthin e Kadaresë “Pashallarët e kuq”
(titulli i origjinalit: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”). E
vërteta që doli nga arkivat u bë një inkurajim për ne për të
kërkuar diçka më shumë. Kësaj here bëhet fjalë për një të vërtetë
më të madhe, për historinë e fatit të veprës së Kadaresë në
shtetin ideokratik, me gjuhën e institucioneve të atij pushteti. Për
të bërë të mundur paraqitjen e kësaj të vërtete është dashur të
këshillohen dhjetëra inventarë fondesh, disa qindra a mijëra fletë
dokumentesh. Këto dokumente nuk gjenden në një fond, në një
koleksion apo në një dosje, por të shpërndarë gjithandej. Në
shumicën e rasteve në titullin e dosjes nuk gjendet fare emri i
Kadaresë, por thuhet, bie fjala: “u diskutua për probleme të
shmangieve ideologjike në letërsi” apo fraza të tilla të ngjashme.
Lënda e përzgjedhur deri tani, besoj në shkallë relativisht të
plotë, do të botohet e shoqëruar me një hyrje shpjeguese për
qëllimin e këtij botimi, për kontekstin historik të dokumenteve,
për raportet midis kritikës publike zyrtare dhe kritikës së fshehtë,
për aspektin moral dhe atë intelektual të këtyre dy anëve të
kritikës.

Pyetje: Kush i ka krijuar këto dokumente?

Përgjigje: Pjesa më e madhe janë relacione të zyrave dhe
zyrtarëve të aparatit të komitetit qendror të partisë së punës, të
funksionarëve të lartë të kohës, por edhe vlerësime që u janë
kërkuar prej këtyre zyrave artistëve e shkrimtarëve. Do të ketë
edhe ndonjë prej letrave kritike të qytetarëve vullnetarë kundër
veprave të Kadaresë, por si rregull letrat e popullit dhe ato
anonime nuk do të përfshihen. Nga këto të fundit ka me shumicë.
Mjafton të kujtoni fushatën kundër “Dimrit të vetmisë së madhe”
dhe mund ta kuptoni lehtë këtë përmasë. Letrat e popullit do të
përfaqësohen me ndonjë që përmban edhe elementë të gjykimit
kritik.

Pyetje: “Dosja Kadare” do të jetë, si të thuash,
“shkrimtarët dhe Kadare”?

Përgjigje: Nuk mund të thjeshtohet problemi në këtë formë. Më
e saktë do të ishte “kritika e fshehtë dhe Kadare”, sido që, në
fakt, në libër, shkrimtari I. Kadare gjendet thuajse rregullisht i
vetëm përballë vigjilencës vullnetare të dhjetëra artistëve e
shkrimtarëve mesatarë të kohës; përballë zilisë dhe zellit për të
zhdukur, hequr nga qarkullimi apo dënuar si armiqësore,
ekzistencialiste dhe deheroizuese veprat e tij. Si të thuash, partia
i ka bërë punët e veta përmes shkrimtarëve, përmes
specialistëve. Kritikës së fshehtë nuk i kanë shpëtuar edhe disa
vepra për të cilat besoj se madje Kadare vetë sot nuk është aq
krenar, që nga “Princesha Argjiro”, deri tek “Dasma”, pa folur për
ato vepra që vërtet kanë qenë të bezdisshme për pushtetet, si
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” apo “Koncert në fund të dimrit”.

Pyetje: A mund të përshkruani atëherë “të vërtetat e
arkivës” për veprat e Kadaresë?

Përgjigje: Përshtypja e parë nga njohja me këto dokumente ka
qenë e papritur. Jam habitur kur kam konstatuar se kanë qenë
nëpunësit e zellshëm ata që kanë treguar më tepër vigjilencë
ideologjike, ndërsa vendimmarrësit, përkundrazi, pasi kritikat e
kanë bërë të vetën (nxirja e vlerave, censurimi i përkohshëm,
urdhërimi i ripunimeve, heqja nga qarkullimi), janë treguar
“tolerantë”, paradoksalisht. Për shembull, në një rast Liri
Belishova mban qendrim zyrtar ndaj një relacioni të paraqitur nga
një funksionar në Gjirokastër për “Princeshën Argjiro”, e këshillon
autorin që mendimet e tij t’i shprehë në shtyp dhe jo në letra, por
pa harruar të këshillojë vartësit e saj që shtypi të kujtohej edhe
për veprat cilësore të Kadaresë. Bëhet fjalë pikërisht për
relacionin që rekomandonte të hiqej nga qarkullimi “Princesha
Argjiro”. Mendoj se nxjerrja në pah e këtyre dokumenteve
ndihmon për të treguar historinë e veprës së Kadaresë, raportin e
shkrimtarit me pushtetin në diktaturë. Eshtë interesante të bëhen
krahasime ndërmjet zellit ideologjik të nëpunësit të mesëm dhe
mungesës së këtij zelli tek eprorët e tyre, ndonjë rast edhe tek
kreu i udhëheqjes vetë, siç ndodhi me romanin “Dimri i vetmisë
së madhe”. Është gjithashtu e rëndësishme në shumë pikëpamje
të botohen këto dokumente burimore, si edhe të mësohet se
njerëzit e letrave s’e kanë mbrojtur aspak Kadarenë, me ndonjë
përjashtim të rrallë, si, për shembull, Dritëro Agolli. Vepra do të
jetë delikate kryesisht në aspektin etik. Sa për akuzat që u janë
bërë veprave të Kadaresë për shmangie nga realizmi socialist,
këto përgjithësisht kanë qenë të sakta, veçse janë përdorur
kundër tij, përderisa janë klasifikuar si vepra ekzistencialiste,
surrealiste, psikanalitike, deheroizuese.

Pyetje: A mund të flisni pak për “galerinë” e
pjesëmarrësve protagonistë në krijimin e asaj që ju e
quani “kritikë e fshehtë”?

Përgjigje: Nuk e kam quajtur unë “kritikë të fshehtë”. Mbase ky
term që unë kam përdorur është një eufemizëm. Do të duhej një
term më i ashpër, jo kaq “elegant”. Më thoni ju, si mund të quhet
kritika që bëhet me porosi, jo për t’u botuar, por për t’i bërë një
shërbim pushtetit, për t’i ardhur në ndihmë atij për qendrimin që
duhet të mbajë ndaj letërsisë? Këto kritika nuk janë shkruar për
t’u botuar. Ato janë pjesë e mekanizmit të shtetit për të ushtruar
kontrollin ideologjik mbi zhvillimin mendor në përgjithësi.
“Galeria” e protagonistëve të kësaj kritike përfshin nëpunës të
administratës partiake dhe të asaj shtetërore të ngarkuar me
politikën zyrtare për zhvillimin e letërsisë; njerëz të artit dhe
kulturës, funksionarë organizatash dhe shoqatash letrare-
artistike, të shtëpive botuese dhe redaksive të gazetave. Një
pjesë e tyre shpesh vullnetarisht ndiqnin me vigjilencë prurjet e
letërsisë së mirëfilltë, jo për ta përkrahur, por për t’i dhënë dorë
udhëheqjes për ta demaskuar atë (nëse do të përdornim një term
të asaj kohe). Bëhet fjalë për një vigjilencë ideologjike, që, në
thelb, i referohet nenit 55 të kushtetutës së atëhershme për
veprat e klasifikuara “agjitacion e propagandë” apo “krime
kundër shtetit”. Kjo vigjilencë shprehet me anë letrash,
relacionesh, procesverbalesh, akt-vlerësimesh. Të gjitha këto,
duke iu drejtuar më të shumtën e rasteve, udhëheqësve të
partisë, merrnin karakterin e dokumentit zyrtar. Për këtë arsye
dhe janë ruajtur në arkiva. Mendoj se Kadare as që e ka idenë se
ç’është shkruar fshehtas për të dhe veprat e tij. Janë, me siguri,
shumë më tepër nga ç’di dhe ç’ka imagjinuar e treguar vetë ai.
Mund të flitet për një mbulim tërësor, totalitar, të gjithë karrierës
së tij krijuese. Dokumentet janë të vlefshme pikërisht për ta
certifikuar këtë proces dhe për të bërë të ditur ç’ndodhte me
raportet e fshehta të pushtetit me shkrimtarin.

Pyetje: Duke qenë tek kjo çështje, a ka treguar interes
Kadare ndaj këtyre dokumenteve?

Përgjigje: Në këtë pikë ka një ndryshim thelbësor qendrimi
midis Kadaresë dhe autorit të librit. Interesi im për letërsinë e
Kadaresë është shumë më i hershëm se fillimi i punës për
koleksionimin e dokumenteve që përbëjnë “kritikat e fshehta”
kundër tij. Në vitin 1991, në katër numra vijues të revistës “Sot”,
kam botuar rreth 15 artikuj dhe studime për një “lexim ndryshe”
të veprës së Kadaresë. Disa dhjetëra artikuj të tjerë janë botuar
herë pas here në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Në
vitin 1997 është botuar libri im “Pengu i moskuptimit”, i cili
përjashtimisht u kushtohet veprave të Kadaresë. Edhe në librin
“Sipërore” (1998) gjenden disa studime për këtë shkrimtar. Jam
autor i kreut për Kadarenë në librin shkollor alternativ “Letërsia
bashkëkohore shqiptare”, i cili është botuar e ribotuar këtu dhe
është shtypur e shpallur tekst zyrtar për shkollat e mesme në
Kosovë dhe në Maqedoni. Ndërkaq, jam duke përgatitur zërin
“Kadare” për “Enciklopedinë shqiptare”, që mendohet se do të
botohet në vitet e afërme. Dua të them se interesi im për
krijimtarinë e Kadaresë nuk është interesi i një drejtori që i ra
rasti të njihet me diçka të panjohur krejt papritur. Sa i përket
qendrimit të Kadaresë, ai ka qenë krejt i ndryshëm. Për herë të
parë Kadare ka mësuar se në këtë arkiv ruhen dokumente që
lidhen me krijimtarinë e tij kur u gjet dorëshkrimi i poemthit “Në
mesditë Byroja Politike u mblodh”. Ne nuk mund ta jepnim për
botim këtë këtë poezi pa marrë pëlqimin e autorit. Gjatë një
bisede të shkurtër telefonike, Kadare, sapo dëgjoi vargjet e dy
strofave të para, tha se nuk kishte dyshim që kjo ishte poezia e tij
dhe se nuk qe e nevojshme të lexohej e tëra. Unë ngulmova që
autori ta dëgjonte poezinë deri në fund, por ai tha se i mjaftonte
të dinte nëse kishte në përmbajtjen e saj ndonjë fjalë, si “puçist”,
“komplotist”. Ia konfirmova se fjalë të tilla në poezi nuk kishte
dhe ai menjëherë lejoi botimin e poezisë. Kjo më bëri përshtypje
të veçantë. Isha përgatitur për një qendrim disi hetimor, ose, së
paku, dyshimtar, nga ana e Kadaresë. Dhe kjo për mua do të
ishte krejt normale. Në fakt, edhe më vonë, Kadare nuk tregoi
ndonjë interes për këtë lëndë dhe mendimi im është se nuk do t’i
pëlqente të njihej me burime që provokojnë ndjenja të turbullta.
Mbase askujt nuk i pëlqen kjo gjë, po të ndodhej në të njëjtat
raporte. Sidoqoftë, jam i befasuar nga qendrimi i Kadaresë, që,
qoftë dhe për kurreshtje, s’ka treguar vëmendje ndaj
dokumenteve që do të përbëjnë fytyrën e librit. Ndoshta në
mendjen time ka pasur paragjykime për këtë çështje.

Pyetje: Përveç poezisë “Në mesditë Byroja Politike u
mblodh”, a ka dokumente të tjera që përmbajnë krijimtari
të censuruar të I. Kadaresë?

Përgjigje: Nuk jam i sigurt për të dhënë një përgjigje të plotë për
këtë pyetje. Di se gjenden rreth 40 fletë të dorëshkrimit të
romanit “Dimri i madh”. Kjo pjesë e dorëshkrimit përmban
shtesat që kritika publike dhe ajo e fshehtë i patën kërkuar
Kadaresë t’i bënte romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, për ta
bërë të botueshëm, pas asaj fushate të vrazhdë që përcolli për
muaj e vite të tërë botimin e parë. Kjo pjesë e dorëshkrimit është
lexuar nga disa duar, është e mbushur me shënime, pikëpyetje,
pikëçuditje, fjalë ironizuese, fshirje dhe nxirje. Eshtë ruajtur në
arkiv jo për vlerën si pjesë e veprës, por për këto shënime që
zyrat dhe zyrtarët kanë vënë mbi të. Dorëshkrimi është trajtuar
në mënyrë agresive. Anëshkrimet dhe mbishkrimet i japin
karakterin e një palimpsesti paramesjetar. Përbën një lëndë të
vlefshme për tekstologjinë kritike. Nuk ka ndonjë rëndësi të
posaçme për të ndryshuar përmbajtjen e veprës. Sipas mendimit
tim, Kadare ka shtuar disa fragmente për të shprehur qendrim të
ndjeshëm ndaj kritikës, por këto fragmente, kryesisht për
forcimin e anës monumentale të subjektit tek përfaqësuesit e
rinisë, “brezit që do të marrë stafetën”, për të rritur optimizmin
për “përballimin e bllokadës”, në thelb kanë karakter
propagandistik, dhe funksionarët që janë marrë me dorëshkrimin
e kanë kuptuar këtë “dredhi”, derisa kanë konkluduar se shtimi i
këtyre pjesëve jo vetëm që nuk do të ndreqte çfarë kishte
kërkuar shteti, por do t’i kthente në një parodi ato. Dhe kështu
pjesa më e madhe e tyre nuk janë bërë pjesë e romanit.

Pyetje: A ka kufizime ligjore për botimin e këtij libri?

Përgjigje: Pjesa dërrmuese e dokumenteve janë të
këshillueshme nga çdo qytetar. Ka disa dokumente që lidhen me
romanin “Koncert në fund të dimrit”, i cili u botua në vitin 1987.
Mirëpo ky roman është botuar pjesërisht qysh në vitin 1979, në
librin “Gjakftohtësia”, dhe me të njëjtin titull ka fituar çmimin e
parë në një konkurs kombëtar të shpallur në vitin 1981. Kështu,
edhe pengesa për rezervimin e dokumenteve për 25 vjet që nga
dita e krijimit, për pjesën më të madhe të dokumenteve që i
takojnë këtij romani, nuk vepron. Nëse do të mbetet ndonjë që
ligji e kufizon, do të respektohet ligji. Por libri bëhet edhe pa këto.

Pyetje: A mund të përmendni për lexuesin tonë ndonjë
prej titujve të dokumenteve që do të përmbajë libri?

Përgjigje: Po filloj me një relacion të ministrisë së punëve të
brendshme për gjendjen në rrethet intelektuale, që mban datën
10 tetor 1972. Relacioni është hartuar me porosi të udhëheqjes
së lartë partiake dhe i është dorëzuar asaj vetëm dy muaj para
mbajtjes së Festivalit të 11-të të Këngës në RTV. Në relacion
gjenden nënshkrimi i H. Kapos, të cilit i është dërguar me shkresë
zyrtare, si dhe shënimi “e pa dhe sh. Enver”. Siç dihet, kjo ngjarje
kulturore u dënua fund e krye dhe asnjëherë nuk u rehabilitua.
Relacioni që përmenda bën të qartë se dënimi i këtij festivali nuk
qe një trill, por u përgatit me kohë. Sipas mendimit tim, në këtë
kohë udhëheqja politike e Shqipërisë kuptoi se “Brezi 1968”,
brezi që kishte tronditur moralin dhe rendin politik në Perëndim
dhe që Tirana, për interesat e saj, e kishte përkrahur, po lëvizte
edhe në Shqipëri. Kishte ardhur një moment që mendimi
intelektual mund të ndikonte në rrjedhat politike. Atëherë këtij
faktori i duhej dhënë një mësim. Ministria e punëve të brendshme
informonte imtësisht udhëheqjen e lartë jo vetëm për prirjet e
krijuesve për të kërkuar rrugë të tjera, por, madje, edhe për
inatet, grupimet, pasionet, sharjet dhe thashethemet kundër
njëri-tjetrit. Në fletën e dytë të relacionit thuhet shprehimisht, me
gojën e një shkrimtari të njohur: “Ikën të vjetrit, tashti do të
përleshemi me njëri-tjetrin ne të rinjtë, se me ata /të vjetrit/ i
qëruam hesapet. Ismail Kadaresë duhet t’i tregojmë vendin”. Në
relacion thuhet gjithashtu: “Të dhënat flasin që për I. Kadarenë
dhe krijimtarinë e tij mjaft shkrimtarë nuk kanë simpati, madje
flasin ashpër. Një kritik është shprehur: ‘Unë për Ismail Kadarenë
nuk shkruaj, se me të jam zënë. Në krahun e tij modernist, ka
figura shokësh që unë nuk u kam besim të nesërmen’. Një
shkrimtar tjetër i njohur, thuhet në relacion, i ka raportuar një
burimit tonë /edhe ky shkrimtar/ se ‘në kritikën tënde për Ismailin
(që nuk u botua) ti ke vënë shumë pak gjëra, Ismaili ka nga këto
një thes me të meta’. Relacioni paralajmëron një furtunë në
kulturë dhe strumbullari i kësaj furtune duket se qe përgatitur të
ishte I. Kadare. Nuk e di se çfarë llogarie bëri dhe pse udhëheqja
politike e asaj kohe ndryshoi qendrim dhe e rezervoi për pak kohë
Kadarenë, për t’iu kthyer me të njëjtën vrazhdësi të pritshme
menjëherë pas botimit të “Dimrit të vetmisë së madhe”. Ndoshta
pse në atë kohë Kadare ishte bërë tashmë një emër
ndërkombëtar i kulturës shqiptare: “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur” u botua në Francë në vitin 1971. Në fakt, botimi i këtij
romani ka luajtur një rol fatal për të ndërsyer kritikën e fshehtë
kundër tij, por edhe për të rritur vigjilencën shtetërore ndaj tij.
Nga relacioni tejet i detajuar i ministrisë së punëve të
brendshme, brenda së cilës gjendej edhe policia politike
(“Sigurimi”), që ruhet në sektorin e ish-arkivit qendror të partisë
së punës, fondi 14, dosja 354, vërehet se udhëheqja i kishte sytë
katër dhe vëzhgonte me kujdesin më të madh sa në njërin krah,
ashtu dhe në tjetrin. Ajo ishte e interesuar për të ditur deri në
detaje se si shiheshin “konservatorët” me sytë e “liberalëve” dhe
anasjelltas. Në të dyja rastet figura e I. Kadaresë rezulton me
kryq mbi supe. Tashmë ai është larguar mjaft prej grupit të
mesataristëve, tradicionalë e të rinj, dhe të dyja palët me shumë
zell e përdorin politikën për ta ndëshkuar shkrimtarin dhe për të
shkurtuar distancën.

Pyetje: A mund të citoni shprehimisht disa vlerësime prej
“kritikave të fshehta” që do të përmbajë libri?
Përgjigje: Ja disa prej tyre: “Për botimet në gjuhë të huaja të
romaneve të I. Kadaresë ka mendime që lënë të kuptohet se,
përderisa pëlqehen dhe botohen në vendet kapitaliste, ato kanë
gabime. Kështu, kur është përkthyer romani “Gjenerali i ushtrisë
së vdekur”, një shkrimtar është shprehur se borgjezia e përktheu
dhe e botoi këtë vepër. Një tjetër deklaron: “Gabim që i çmojnë
veprat tona nga Franca, ato duhen çmuar nga jehona në vatrat
revolucionare të botës. Kot i bien në qafë konservatorizimit. Asnjë
vepër konservatore nuk është ndaluar, si ato, modernistet, sepse
gabimet vinë prej këtyre. Një shkrimtar, para pak ditësh, në një
ambient gazetarësh të revistës “Hosteni”, pati thënë se drama e
I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka falimentuar qysh
në shfaqjen e premierës. Por aty-këtu flitet se edhe Ismail Kadare
u është kundërvënë të tjerëve. Një burim thotë se Ismaili, duke
folur për shkrimtarët e vjetër, ka thënë se ata janë të pafuqishëm
në krijimtarinë e tyre, ashtu siç janë edhe në jetën personale. Një
shkrimtar i ri i ka thënë një burimi se Ismaili, duke folur për një
roman epope për temën e fshatit, ka thënë se “të gjithë kanë
mbetur në faqen 27”. Një burim tjetër tregon se, kur është
diskutuar në Shkodër romani “Dasma”, Ismaili, në përgjigje të
pyetjes se “si shkove andej”, është përgjigjur se “u dëgjuan disa
mushkonja të vogla dhe asgjë me rëndësi”.

Pyetje: Si ta kuptojë lexuesi ynë pohimin tuaj për zellin e
shkrimtarëve dhe të kritikëve për të sulmuar fshehtas
Kadarenë?

Përgjigje: Shumë thjesht: pothuajse në të gjitha rastet nismat
për të ndaluar veprat e Kadaresë lindin në mjediset kulturore, në
zyra partiake e shtetërore ku punonin shkrimtarë. Relacionet e
tyre i paraqiten udhëheqjes politike. Në shumicën e rasteve
debatet janë mbyllur pikërisht prej “autoriteteve të larta”. Në
këto dokumente ka shënime të H. Kapos, R. Alisë dhe vetë E.
Hoxhës, ku thuhet “le të mjaftohemi me kaq”, “Kadare e ka
kuptuar gabimin” dhe fraza të tilla të ngjashme. Sigurisht, kjo
ndodh pas kritikat e fshehta e kanë bërë efektin e tyre, e kanë
hequr veprën për një kohë nga botimi apo qarkullimi, e kanë
njollosur vlerën e saj, e kanë demaskuar në publik shkrimtarin.

Pyetje: Ju përdorët shprehjen “mbulim totalitar”,
përshkruar raportet e kritikës së fshehtë me veprën e
Kadaresë. Si mund të bëhet më e kuptueshme kjo për
lexuesin?

Përgjigje: Për të gjetur gabime dhe “shmangie ideologjike” në
veprën e Kadaresë kanë qenë të angazhuar njerëz në detyrë dhe
pa detyrë. Pikërisht në kohën kur zyrat partiake e shtetërore
mprehnin armët për të varrosur për së dyti “Koncertin në fund të
dimrit”, duke e quajtur tallje me socializmin në përgjithësi, jo me
socializmin kinez, prof. A. Pipa denonconte publikisht që nga
kontinenti përtejatlantik se Kadare kishte qenë një shkrimtar që
ishte tallur me komunistët qysh me romanin “Kronikë në gur”.
Madje ai zbulon se edhe romani “Dasma” është një roman
përqeshës për “lëvizjet revolucionare”, sepse emri i fshatit
“Lapardha” në italisht mund të lexohet “La pardha” dhe pastaj
kjo e fundit të kujton një fjalë tjetër, që sigurisht e ka pasur në
mendje shkrimtari, por nuk e ka thënë, për të mos u
dekonspiruar. Kjo është arsyeja, thotë Pipa, që shkrimtari e hoqi
emrin “Lapardha” në botimin e dytë dhe e zëvendësoi me “pleqtë
e Korçës”. Në vitin 1974 ish-ballisti Xhelal Staravecka njofton E.
Hoxhën se njëfarë “Iliri” ka shkruar ashpër kundër Kadaresë pse
ky nuk është marrë me ciklin e kreshnikëve dhe ka nënçmuar
folklorin e shqiptarëve të veriut, madje e paska ironizuar, kurse
në vitin 1977 është vetë E. Hoxha që e vlerëson lart Kadarenë që
e plotësoi tashmë këtë detyrë! Si të thuash, vijnë në një mendje
“Iliri” i arratisur në Perëndim si antikomunist, që ankohet për
mosvëmendje ndaj epopesë legjendare dhe baladave të moçme,
me kreun e udhëheqjes politike të diktaturës, që e përgëzon
shkrimtarin që shkroi studimin për karakterin vendës të ciklit të
kreshnikëve, i cili më pas u botua edhe në formatin e një libri
xhepi në disa gjuhë të huaja. Në fillim të viteve 1960, kur Kadare
botoi në Moskë vëllimin “Lirika”, botuesi sovjetik D. Samoilov, më
pas një figurë parësore e mendimit kritik në Rusi, paralajmëroi se
ky poet, ndoshta edhe për shkak të vendit të prejardhjes, “është i
ndikuar prej poezisë dekadente perëndimore”. Më pas, kur kritika
shqiptare hyri në polemikë krahas me institucionet e shtetit
“kundër dekadencës revizioniste”, kjo gjë që nuk do t’i pengonte
aspak kritikët që t’i drejtoheshin Kadaresë me të njëjtat akuza të
botuesit të parë “revizionist”. Ky është mbulimi totalitar: edhe ata
që pajtoheshin gjëkundi ideologjikisht, vinin në një mendje për
qendrimin ndaj veprës së Kadaresë. Po të krahasohen letrat e
popullit “të lirë” dhe letrat e të burgosurve, edhe ato përmbajnë
të njëjtën vigjilencë die të njëjtin shqetësim “për të mbrojtur
partinë”.

1. Intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, datë 09.07.2003. Botohet e
plotë, sipas përmbajtjes së bashkëbisedimit ruajtur nga autori.

1
MBI VEPRËN E KADARESË VIGJILONIN BESNIKËT DHE ARMIQTË

Pyetje: Më së fundi në institucionin që ju drejtoni është
krijuar fondi nominal arkivistik i I. Kadaresë. Pse kjo
vonesë kaq e madhe për një shkrimtar të mirënjohur, që
ka më shumë se një gjysmë shekulli krijimtari?

Përgjigje: Kjo ka ndodhur pothuajse me të gjithë shkrimtarët e
periudhës së pasluftës. Ata nuk kanë dorëshkrime në arkivat
shtetërorë, përveç rasteve kur i kanë ruajtur vetë dhe i kanë
dhuruar. Mungesa e fondeve personale të shkrimtarëve dhe
studiuesve të periudhës së pasluftës në AQSH është një prej
shqetësimeve të diplomatikës shqiptare. Brezi i shkrimtarëve të
letërsisë bashkëkohore ka shumë pak dokumente në arkiva,
përveç asaj pjese të pakët të saj, që është cilësuar si “letërsi
problematike”, dhe që ka qarkulluar nëpër zyra si shtojcë e
praktikave administrative, siç është dhe poezia “Në mesditë
Byroja Politike u mblodh”. Janë së paku dy arsye që e shpjegojnë
këtë gjendje. Së pari, në periudhën e shtetit ideokratik kishin
rëndësi dorëshkrimet dhe dokumentet e njerëzve të politikës,
sipas shkallës së emërtesës. Si rregull të gjithë këta kanë fonde
personale në arkiva. Ndërsa njerëzit e kulturës, duke qenë
dytësorë krahasimisht me të parët, ishin edhe jashtë vëmendjes
së arkivave. Së dyti, sikurse dihet, gjatë viteve 1990, kur
institucionet e shtetit e shuan papritmas gati në tërësi
veprimtarinë e tyre, arkivat e institucioneve të krijimtarisë: të
shtëpive botuese, të redaksive të revistave e gazetave, të
shoqatave të shkrimtarëve e artistëve, të teatrove dhe
estradave, të shtëpive të kulturës dhe krijimtarisë, përsëri
mbetën dytësorë. Një pjesë e madhe e këtyre arkivave
fatkeqësisht janë zhdukur pa ndonjë gjurmë. Kjo ndodhi edhe për
faktin se ligji nuk i detyronte këto institucione të dorëzonin
dorëshkrimet në arkiva dhe po ashtu nuk i bënte përgjegjës
arkivat për fatin e dorëshkrimeve në ruajtje të tyre. Ndërkaq,
sikurse dihet mirë, të gjithë ata që dëshironin të botonin një
vepër, qoftë edhe një artikull, ishin të paralajmëruar se
“dorëshkrimet nuk kthehen”.

Pyetje: Çfarë përmban aktualisht “Fondi Ismail Kadare”?

Përgjigje: Fondi i Ismail Kadaresë është themeluar falë një
mirëkuptimi të ndërsjellë, që pati si përfundim nismën e
shkrimtarit për t’u dhuruar arkivave disa dorëshkrime. Ai mban
numrin e referencës 779. Kjo nisi me romanin “Qyteti pa
reklama”, e para vepër në prozë e shkruar nga Kadare (në fillim
të viteve 1960) dhe u vijua me dorëshkrimet e romaneve “Vajza
e Agamemnonit” dhe “Hija”. Këto dy të fundit kanë qenë
depozituar prej autorit në “Banque de la Cite” të Parisit, në mesin
e viteve 1980, duke qenë se jo vetëm që përmbajtja e tyre nuk
shihej me ndonjë shpresë botimi, por, veç kësaj, mund të
përdorej kundër shkrimtarit për qëllime politike. Kadare ka
pohuar disa herë se këto dy romane nuk i kishte përfytyruar kurrë
si vepra të botuara në Shqipëri, në të njëjtat kushte politike kur u
shkruan2. Por kohërat ndryshuan dhe veprat u botuan. Tani
dorëshkrimet marrin një rëndësi të veçantë për studime
tekstologjike të krahasuara. Libri nuk e zëvendëson kurrë
dorëshkrimin. Në dorëshkrim është sizmologjia shpirtërore e
autorit. Shkrimi lejon lexime të tjera të veprës, në radhë të parë
lexime psikokritike dhe psikoemocionale.

Pyetje: A mund ta shpjegoni më gjerësisht nga buron kjo
rëndësi?

Përgjigje: Dhurimi i këtyre dorëshkrimeve është një pasurim
cilësor i arkivave shqiptare. Por më e rëndësishmja është se këto
dorëshkrime mund të bëhen pikënisje për të rivlerësuar zhvillimin
e letërsisë në periudhën bashkëkohore. Në mënyrë të veçantë
studiuesit e tekstologjisë mund të nxjerrin përfundime për atë që
mund të quhet “letërsi përmbi dy kohëra”, letërsinë e shkruar në
kushtet e kontrollit ideologjik dhe të botuar në kushtet e
shoqërisë së hapur. Shpesh ndodh që ky krahasim kuptohet në
një mënyrë shumë të varfër: ç’fjalë ka prekur apo zëvendësuar
autori mbas ndryshimit të kohërave. Në rastin e I. Kadaresë, një
studiues i letërsisë shqipe ka arritur t’i japë “kuptim politik
subversiv” edhe përdorimit të togfjalëshit “mensat e
përbashkëta“ në romanin “Kronikë në gur”, ku, sipas kritikut, fjala
“mensa“ është shenja e fashizmit ndërsa fjala “të përbashkëta“
(në it. “commune“) është shenjë e komunizmit, dhe bashkimi i të
dyjave do të thotë se fashistë e komunistë janë njësoj! Sido që
edhe krahasime të tilla nuk janë të tepërta, do të ishte fyese nëse
kjo do të reduktohej vetëm në aspektin formal: çfarë ka prekur e
çfarë nuk ka prekur në tekst autori. Me këtë nuk dua të shmang
vëmendjen e studiuesve nga kjo mundësi krahasimi. Thjesht,
dëshiroj t’i siguroj se, me privilegjin e lexuesit që i ka pasur në
dorë edhe dorëshkrimin, edhe botimin, në tre librat e Kadaresë
thuajse nuk ka qoftë edhe ndryshime formale. Mbetet të
studiohen disa gjëra më të thella: cili ka qenë përfytyrimi i
shkrimtarit në kushtet e shoqërisë së mbyllur dhe ç’horizont
pritjeje kanë veprat e tij tashmë në një shoqëri të hapur.
Thelbësore në një krahasim të tillë, që tashmë është krejtësisht i
mundshëm, është gjithashtu raporti i lirisë së kohës me lirinë që i
ka njohur vetes shkrimtari, si një çështje jo vetëm e letërsisë, por
e disa raporteve më të mëdha e më të rëndësishme.

Pyetje: A ka qenë teknikisht i vështirë të bëhet krahasimi
midis dorëshkrimeve dhe botimeve?

Përgjigje: Për romanin “Qyteti pa reklama” nuk ka qenë aspak i
vështirë. Për romanin “Vajza e Agamemnonit” është dashur të
bëhet një punë më e kujdesshme, sepse teksti ka mjaft shtojca
në anën recto të fletës. Nganjëherë gjenden dy a më shumë
shtojca, pa pasur shenjën e vendit të ndërfutjes. Shumë i vështirë
është krahasimi i tekstit të romanit “Hija” me dorëshkrimin. Kjo
sepse vetë autori e ka ngatërruar qëllimisht qysh në procesin e të
shkruarit tekstin, me qëllim që, në çdo rast, romani të mos kishte
vijueshmëri logjike dhe, si të thuash, të mos deshifrohej
përmbajtja. Këtë autori e ka bërë duke i numërtuar faqet e
dorëshkrimit në një mënyrë gati kriptologjike, aq sa gati nuk
kuptohet nga duhet të fillojë leximi.
Pyetje: Ç’i mungon tashmë fondit arkivor të Ismail
Kadaresë, në konceptin e dokumentalistikës?

Përgjigje: Fondi i Ismail Kadaresë u krijua, por ky fond, i
vështruar me koncepte arkivistike, ka probleme. Këto janë
probleme të krijuara prej kohërave dhe ne do të na duhet të
punojmë për t’i zgjidhur, me qëllim që të bëjmë të mundur të
ndriçojmë sa kemi në dorë rrugën e vështirë të zhvillimit të
letërsisë dhe të lirisë krijuese në periudhën ideokratike. Një fond
personal, sipas koncepteve arkivistike, ka nënndarjet e veta, prej
të cilave nga më kryesoret janë: krijimtaria, veprimtaria zyrtare-
publike, letërkëmbimi, të dhënat biobiliografike. Tani për tani
krijimtaria e Kadaresë përfaqësohet me tre romanet, poezinë “Në
mesditë Byroja Politike u mblodh”, një fragment relativisht të
gjatë që duhej t’i shtohej romanit “Dimri i madh”, por më pas, po
ato zyra që ia kishin kërkuar një gjë të tillë, gjykojnë se “nuk i
shton gjë veprës”, madje “është skematike e ndoshta tallëse”,
dhe ndonjë krijim tjetër më pak i rëndësishëm. Nga veprimtaria
zyrtare-publike gjenden diskutime pa ndonjë vlerë në Kuvendin
Popullor, si dhe disa autokritika të shkrimtarit, të cilat të lejojnë
të kuptosh se në ç’largësi gjendeshin autori dhe rreziku.
Letërkëmbimi është edhe më i kufizuar. Interesante është një
letër origjinale e Kadaresë drejtuar një figure të rëndësishme
politike të periudhës komuniste në favor të familjes së Lasgush
Poradecit. Ndër rubrikat që përmban një fond personal është
edhe nënndarja që quhet “të tjerët për fondkrijuesin”. Pikërisht te
kjo nënndarje del një nga problemet thelbësore strukturore të
fondit të Ismail Kadaresë. Nëse krijimtaria e tij filloi të ruhet në
arkiva vetëm para një viti, nënndarjes “të tjerët për
fondkrijuesin” i takojnë dhjetëra e dhjetëra dokumente, për të
mos thënë qindra, të shpërndarë në fonde e koleksione
dokumentesh nga më të ndryshmet. Për më shumë se 30 vjet me
radhë, siç del nga burimet, krijimtaria e Ismail Kadaresë është
mbuluar me vëzhgim tërësor nga drejtime e pikëvështrime nga
më të pabesueshmet: që prej redaksive të gazetave, revistave e
të shtëpive botuese, deri te zyrat partiake e shtetërore që
funksiononin për të zbatuar politikën zyrtare në art, kulturë e
letërsi; që prej vullnetarëve të devotshëm e vigjilentë, që i fillojnë
shkrimet e ankimet e tyre me emrin e shtetit dhe i mbyllin me
“përshëndetje revolucionare”, deri te pëshpërimat e sistemuara
në relacione e raporte zyrtare nga institucionet e ngarkuara me
këto detyra; që prej udhëheqësve të lartë partiakë e shtetërorë,
deri te figura protagoniste të mërgatës politike “armiqësore”
shqiptare në Europë. Zor se mund të gjendet një mbulim më
tërësor se letërsia e I. Kadaresë, për të cilën shkruajnë me të
njëjtën vigjilencë të ngarkuarit me letërsinë dhe kulturën në zyrat
partiake e shtetërore dhe njëherësh, kundërshtarët politikë të
sistemit komunist që jetonin në Evropë, disa me emra letrarë e
disa të tjerë, si Xh. Staravecka, edhe me emrin e vet.

Përgjigje: Pra, ekziston një “Dosje Kadare”, apo “Dosje
K.”, siç e keni quajtur ju, në arkivat e Shqipërisë?

Përgjigje: Terminologjikisht nuk ekziston ndonjë “Dosje Kadare”
në arkiv. Ky është një keqkuptim. Kjo do të thotë se nuk ekziston
as ndonjë “Dosje K.”. Këtë titull letrar e kam përdorur në një
bisedë me gazetarët, për lehtësi kuptimi, duke iu referuar për
analogji romanit “Dosja H” të Kadaresë, ribotuar më vonë me
titullin “Një dosje për Homerin”.

Pyetje: Kjo do të thotë se po e krijoni ju një dosje të tillë?

Përgjigje: Arkivat nuk krijojnë dosje, arkivat administrojnë ato
dokumente që kanë. Ajo që po përpiqemi të bëjmë ne është të
lehtësojmë njohjen e historisë së procesit letrar në Shqipërinë e
gjysmëshekullit të fundmë. Për këtë një zgjidhje mund të jetë që
një kopje e atyre dokumenteve që janë shkruar për veprat e
Kadaresë në komunikimin administrativ, pa prekur topografinë
burimore të origjinaleve, të vendoset në fondin e I. Kadaresë, për
lehtësi studimi, në nënndarjen “të tjerët për fondkrijuesin”. Kjo
është më e pakta që mund të bëhet. Por mendoj se është një
përgjegjësi e arkivave jo vetëm ndaj shkrimtarit, por ndaj
zhvillimeve të historisë së letërsisë dhe të kulturës kombëtare,
zbardhja e burimeve që kanë mbetur në formën e kritikës
administrative-zyrtare të pabotuara ndonjëherë, duke filluar prej
ankimit të parë, që i takon vitit kur u botua poema “Princesha
Argjiro”, deri në fund të viteve 1990, madje edhe pak më vonë.

Pyetje: Ju mendoni se pas botimit të “Dosjes K.” vepra e I.
Kadaresë do të ketë një vlerësim tjetër në sytë e
studiuesve dhe të lexuesve? Pse vendosët të merrni
përsipër botimin e këtyre burimeve?
Përgjigje: Përgatitja e një libri me burime për kritikat e
rezervuara ndaj veprës së I. Kadaresë nuk bëhet “për t’i bërë
nder” krijimtarisë së një shkrimtari, qoftë edhe parësor, si I.
Kadare. Kjo bëhet si një detyrim ndaj historisë së letërsisë dhe
kulturës bashkëkohore shqiptare. Eshtë shumë dëshpëruese që
“Dosja K.” të kuptohet si njëfarë “dëmshpërblimi demokratik” për
autorin. Në konceptin tonë burimologjia i paraprin historisë, duke
përfshirë edhe historinë e letërsisë dhe të kulturës. Veç kësaj,
nëse duam të respektojmë kodet europiane të sjelljes me
subjektet e dhunës, duke përfshirë subjektet e dhunës së fjalës
(“heat speech”), duhet të njohim detyrimin për t’i vënë ata në
dijeni të burimeve. Në ligjin e ri për arkivat, që sapo është
miratuar, është sanksionuar, si në të gjitha vendet e qytetëruara
të botës, e drejta e individit, qoftë ky një qytetar i thjeshtë i
vendit, qoftë një shkrimtar dhe personalitet i botës së vlerave
kombëtare, si I. Kadare, për t’u njohur me çfarë është shkruar në
fshehtësi rreth tyre.

Pyetje: A ka pengesa ligjore dhe të tjera për këtë botim?

Përgjigje: Pengesa ligjore për pjesën më të madhe të lëndës nuk
ka. Kufizimi i vetëm është ai i 25-vjetëshit të maturimit të
dokumenteve. Kjo do të thotë se dokumentet e shkruara deri në
vitin 1980 mund të botohen. Por ligji përmban dhe të drejtën e
përjashtimit nga ky afat, kur qëllimi i botimit është promovues
dhe me karakter emancipues për mendimin shqiptar, sidomos
nëse burimet nuk kanë efekte në politikën e ditës. Ekzistojnë disa
pengesa të tjera, jo ligjore, por të karakterit etik, të cilat
gjithashtu janë të kapërcyeshme. Në rastet kur do të gjykohet se
është shpejt të identifikohen autorët, mund të jetë e
mjaftueshme të identifikohen zyrat apo institucionet. Në aspektin
moral gjithë shqetësimi është që polemika të mos personalizohet.
Në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për emancipim mendimi,
por për të kundërtën. Përmenda aspektin moral, sepse pikërisht
ky e ndërlikon çështjen. Shkrimet për veprën e I. Kadaresë janë
shkrime specialistësh. Nëse në këto shkrime një vepër është
kërkuar të ndalohet sepse “deheroizon ngjarjen apo
personalitetin”, nuk mund të thuash se në pikëpamjen
intelektuale autori ka gabuar. Por gjithnjë mbetet pyetja se
ç’kuptim kishin termat “letërsi dekadente”, “ndikim psiko-
frojdist”, “vepër armiqësore”, “deformim i historisë dhe i
realitetit”, “roman surrealist”, “libër muvist” etj. në kontekstin
politik të kohës kur janë shkruar librat e Kadaresë.

Pyetje: Ju mendoni se ky libër do të ndërlikonte
marrëdhëniet e I. Kadaresë me shkrimtarët-kolegë?

Përgjigje: Unë nuk e mendoj aspak një gjë të tillë, sepse I.
Kadare, me të drejtën e ligjshme që sapo e përmenda, pra, me të
drejtën e të dëmtuarit, është njohur me një pjesë të këtyre
dokumenteve dhe më pas, i lënduar prej përmbajtjes së tyre,
humbi interesin për të vazhduar më tej. Dhe, sikurse e dini, në
asnjë rast Kadare nuk ka folur për njerëz dhe emra të përveçëm,
por për nevojën që letërsia shqipe bashkëkohore të njihet me
fatin e vështirë të zhvillimit të saj në periudhën e pasluftës.
Gjithashtu mendoj se edhe njerëzit e letrave nuk kanë pse t’i
shmangen këtij ballafaqimi, pa të cilin letërsia shqipe nuk do të
mund të kuptonte vetveten.

Pyetje: A mund të përmendni disa nga shkrimtarët që
kanë dhënë vlerësime zyrtare të pabotuara për veprën e I.
Kadaresë?

Përgjigje: Mendoj se kjo është gjëja e fundme që ka rëndësi në
gjithë këtë proces. Në plenumin e lidhjes së shkrimtarëve në fund
të viteve 1970 për “largim nga temat e mëdha” dhe “trajtim
subjektivist të historisë” janë bërë diskutime më të ashpra se ato
që mund të gjenden në ndonjë diskutim të tij të pabotuar, si, bie
fjala, rasti i ndalimit të poezisë “Në mesditë Byroja Politike u
mblodh”.

Pyetje: Cila është historia e lidhjeve të Kadaresë me
arkivat shtetërorë?

Përgjigje: Në fund të vitit 1990, kur I. Kadare vendosi të largohej
nga Shqipëria (sipas mendimit tim për t’u dhënë mundësi
njerëzve me ambicje politike të themelonin një opozitë), në letrën
dërguar ish-kryetarit të shtetit nuk kërkon kurrfarë kujdesi, për
shembull, për moscënimin e vendit të tij në tekstet shkollore apo
mosrëndimin e aktit të tij mbi të afërmit, gjë që do të ishte krejt
normale. I vetmi shqetësim vetjak që shpreh Kadare në këtë letër
është marrja në mbrojtje dhe moshkatërrimi i arkivit të tij
personal. Kadare u largua nga Shqipëria ilegalisht dhe thuajse
gjithçka që kishte shkruar mbeti në apartamentin e tij në “Rrugën
e Dibrës”. Për hir të së vërtetës duhet thënë se autoritetet
shtetërore gjetën zgjidhjen më të drejtë për ruajtjen e arkivit të
shkrimtarit. Dorëshkrimet e tij nuk u bënë pasuri arkivore
shtetërore, pra, nuk u sekuestruan, siç kishte ndodhur me shumë
të tjerë më parë. Arkivi i Kadaresë “u mor në ruajtje” në AQSH
dhe nuk u hap asnjëherë, sepse depoja ku u vendos kontrollohej
nga dy palë: nga përfaqësuesi i arkivit dhe përfaqësuesi i polisisë.
Asnjëra palë nuk mund ta hapte pa dijeninë dhe praninë e palës
tjetër. Në atë kohë kam kryer detyrën e ndihmësit të kryetarit të
shtetit dhe kam qenë i informuar për këto hapa që u hodhën.
Madje shtypi i opozitës së re që sapo qe krijuar më është drejtuar
publikisht me thirrjen për të dhënë informacion se ku gjendej
arkivi i Kadaresë. Në vitin 1992, me ndryshimin e qeverisjes
politike, Kadare u kthye në Tiranë dhe kërkoi të rimerrte arkivin
personal. Rikthimi i arkivit u bë në praninë e një ekipi televiziv
francez. Dorëshkrimet e Kadaresë qendruan “në ruajtje” në AQSH
për afro dy vjet dhe asnjëherë nuk u hapën. Zhvillimet e trazuara
që shoqëruan rrjedhat e historisë së Shqipërisë në ato vite
sigurisht që e bënin Kadarenë të ishte mosbesues në fuqinë e
shtetit për të administruar pasuritë kulturore. Në fakt, ndodhi ajo
që dihet mirë: arkivat e krijimtarisë pësuan goditjen më të madhe
në krejt gjysmën e dytë të shekullit. Një ndikim mjaft pozitiv për
ndryshimin e raporteve të Kadaresë me arkivat pati gjetja e
poezisë “Pashallarët e kuq” dhe sidomos korrektesa me të cilën
arkivi mundësoi botimin e saj. Pasi u komunikua zyrtarisht,
shkrimtari dha pëlqimin e tij që poezia originale e daktiloshkruar,
me nënshkrimin e autorit në fund, t’i jepej shtypit. Për ne është
një shenjë shumë e çmuar që Kadare disa dorëshkrime po i
rikthen në arkivat shtetërore. Pohimi i tij se “vendosa t’i jap këto
dorëshkrime në radhë të parë si shprehje respekti për shtetin
shqiptar, ndaj institucioneve të tij që punojnë në mënyrë
serioze”, kanë nxitur krijues të tjerë të hedhin hapa të ngjashëm.
Me dorëzimin e dorëshkrimeve, Ismail Kadare mund të gjykohet
dhe studiohet edhe nga sizmologjia e dorëshkrimit. Vite më vonë,
pasi të kenë lexuar e rilexuar veprat e Kadaresë nga botimet
kompjuterike, studiuesit do të vrapojnë për t’ju referuar
dorëshkrimit të drejtpërdrejtë. Në bazë të shkrimit origjinal do të
nxjerrin konkluzione të sakta nëse autorit i është dridhur dora
nga emocioni apo jo, nëse autori ka qenë i qetë apo nervoz, i
vendosur apo i lëkundur; çfarë ka prishur me shpejtësi e çfarë ka
mbishkruar pastaj. Gjurmët e shkrimit janë si gjurmët e gishtave.
Prej tyre përcaktohet karakteri i individit.

Pyetje: Veç Arkivit Qendror Shtetërir dhe vetë autorit, I.
Kadaresë, a ka të tjerë që zotërojnë dorëshkrime të tij?

Përgjigje: Po, disa dorëshkrime shumë të rëndësishme të
Kadaresë gjenden në duar privatësh. Ne jemi të interesuar për
fatin e tyre. Dorëshkrimi i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”
gjendet në arkivin e familjes Hoxha. Unë i kam bërë një propozim
znj. Nexhmije Hoxha që, duke na dhënë këtë dorëshkrim, në
këmbim të tij t’i japim kopje falas të fotove, dorëshkrimeve apo
ditareve të E. Hoxhës. Por përgjigjja e saj ka qenë e prerë: Jo! Ajo
e quan këtë dorëshkrim “një dhuratë” prej Kadaresë, por
shkrimtari ka treguar se këtë dorëshkrim ia ka kërkuar
personalisht znj. Hoxha, duke i thënë se “ju nuk keni vend ku ta
ruani”. Një dorëshkrim tjetër, ai i “Përbindëshit”, ruhet nga një
shkrimtar në Durrës. Ka shumë dorëshkrime që mund t’i kenë
redaktorët ose miq të shkrimtarit. Këto dorëshkrime herët a vonë
e kanë vendin në arkiv. Ato janë trashëgimi kulturore kombëtare.

Një nga tekstet ku denoncohej Kadare:

“Kam disa vjet që merrem me një monografi për rrethin dhe
qytetin e Gjirokastrës gjatë shekujve, por ca ditë përpara pashë
me çudi se poeti i ri Ismail Kadareja boton një poemë me titullin
“Princesha Argjiro”, e cila historikisht nuk ka si të qëndrojë në
këmbë, duke qënë krejt e gabuar. Gjirokastra nuk u themelua
prej saj dhe as që mori emrin e Argjirosë. Nga burime arkivale,
nga historia, nga shkrime që të parët tonë i kanë ruajtur mir’ e
bukur, dhe jo nga legjenda, si ajo që paraqitet në tekstin e poetit,
del se Gjirokastra është e vitit 568 epoka e re dhe nuk është
aspak e vërtetë se mori emrin e Argjiros në shekullin e 15-të, se
në këtë kohë erdhën këtu turqit, duke lënë mënjanë pastaj se a
mund të lejonin turqit që qyteti të mirrte emrin e një luftëtares që
u ngrit kundra tyre. Poema, e bazuar në histori dhe në shkrime të
sigurta, pasi poeti të ishte konsultuar me ata që merren me
studime historike, do të kishte dalë pa të meta. Gjithashtu, edhe
ndërmarrja shtetërore e botimeve, po të kishte pyetur, nuk do të
lejonte të botohesh një poemë që nuk bazohet në histori. Veç
kësaj kam edhe dy fjalë në lidhje me gjeografinë e Shqipërisë, ku
përkundrazi Gjirokastra paraqitet e ndërtuar nga Gjin Bue Shpata.
Dhe kjo është e gabuar, kështu që duke paraqitur versione të
ndryshme dëmtojnë historinë e vëndit”.

1. Intervistë dhënë gazetës “Panorama”, datë 09.01.2004.
2. Claude Durand, president i “Editions Fayard”, në një intervistë
dhënë së përditshmes shqiptare “Shekulli”, më 27.05.2004,
saktëson: “Udhëtimi im i parë ishte në vitin 1986, sepse Ismail
Kadare mund të kishte probleme. Udhëtimi im i dytë u bë në vitin
1990 dhe ishte më rëndësishëm. Bëhej fjalë për ikjen e Kadaresë.
Ishte momenti i trazirave, momenti historik i rënies së diktaturës
dhe vendosjes së regjimit demokratik. Ne kishim përgatitur gjithçka
më përpara. Pra, familja e tij do të vinte për pushime tek ne në
Paris. Përfituam nga rasti të bënim gati valixhet, që përmbanin
arkiva, dorëshkrime të shkrimtarit. U nisëm me vajzën e vogël të
Ismalit, ndërkohë që vajza e madhe ishte në Paris. U nisëm pa
ndonjë vështirësi nga Rinasi. Ai do të vinte më pas i ftuar nga unë si
botues i tij. Unë nuk rrezikoja asgjë. Ndoshta do të kisha pasur më
shumë probleme në ndonjë diktaturë tjetër, bie fjala, si ajo kubane.
Nuk kam qenë kurrë në Kubë, edhe pse kam botuar shkrimtarë
disidentë nga ky vend. Atje mund të të ndodhë edhe që të të vënë
një barrë të mirë me drogë në bagazhin e makinës e më pas të të
ndalojnë. Në Shqipëri një gjë e tillë s’kishte për të më ndodhur”.
Sipas botuesit Durand, Kadare kishte depozituar më parë në Francë
romanet “Vajza e Agamemnonit” dhe “Hija”, një pjesë të
dorëshkrimit të veprës “Ikja e shtërgut”, si dhe disa vjersha.

1
KUFIZIMET NUK JANË TEK LIGJI, POR TEK NDËRGJEGJET E TREMBURA

Pyetje: Ditët e fundit një grup shkrimtarësh deputetë, por
edhe autoritete të larta publike, duke mbështetur thirrjen
e shkrimtarit Ismail Kadare, kanë shprehur mendimin se
duhet të hartohet një ligj i ri për hapjen e arkivave. Cila
është detyra e institucionit tuaj?

Përgjigje: Para se të përgjigjem për këtë pyetje, e ndiej të
nevojshme të theksoj se autoritetet publike shqiptare duhet të
vendosin përfundimisht të pranojnë nëse ka ose jo ende në botën
moderne gjëra serioze dhe cilat janë ato. Nëse këto autoritete
mendojnë se ka ende gjëra që janë serioze, këto duhen diskutuar
seriozisht. Duke supozuar një përgjigje pozitive prej autoriteteve
publike rreth kësaj pyetjeje, do të pohoja se ligjet, në një rast të
tillë, janë ndër gjërat më serioze dhe meritojnë një diskutim
serioz.
Kam ndjekur me shumë vëmendje diskutimin që nxiti letra e I.
Kadaresë drejtuar këto ditë z. Bedri Blloshmi. Nga ky debat,
përmes deklarimeve të shpejta dhënë shtypit prej autoriteteve të
larta publike të shtetit, prej disa institucioneve qeveritare,
deputetëve, ish-deputetëve, prej shkrimtarëve që marrin pjesë
aktive në jetën politike të vendit, duke interpretuar shqetësimin e
shkrimtarit, mësova se njëzëshmërisht propozohet hartimi
menjëherë i një ligji të ri për hapjen e arkivave.
Unë i kuptoj drejt deklarimet e këtyre autoriteteve, të nyjëtuara
fillimisht prej I. Kadaresë, i cili, si personalitet i kulturës shqiptare,
jeton me mundimin e emancipimit të shoqërisë dhe, në këtë
funksion, nuk shmanget të kërkojë zotimin e gjithë faktorëve që
mund të ndikojnë për kapërcimin e çdo lloj shëmtie që është
trashëguar nga e kaluara. Gjithashtu do të isha përkrah kujtdo që
do të mbështeste hapjen e mëtejshme të arkivave dhe
veçanërisht rritjen e ndikimit të tyre në mirëqeverisje. Por nuk e
kuptoj nëse e kanë pasur seriozisht apo jo deputetët e Kuvendit
të Shqipërisë kur votuan unanimisht (rast i rrallë në institucionin
tonë ligjvënës) më 6 nëntor 2003 për miratimin e ligjit 9154 “Për
arkivat”, ligj që e ka shpallur Presidenti i Republikës vetëm dy
javë më vonë dhe ka hyrë në fuqi në mesin e dhjetorit të vitit të
kaluar. Gjithashtu nuk e kuptoj nëse ato institucione qeverisëse,
që janë shprehur për hartimin e një ligji të ri për arkivat, duke u
vërtitur fillimisht të gjejnë subjektin që ka të drejtën e nismës
ligjore, e kanë pasur seriozisht miratimin e ligjit “Për arkivat”, që
Këshilli i Ministrave ia propozoi vjet Kuvendit.

Pyetje: Mirëpo një ligj mund “të vjetërohet” edhe për
gjashtë muaj dhe prej këndej të lindë nevoja për të
hartuar një tjerër?

Përgjigje: Ligji “Për arkivat” është një prej ligjeve më
demokratikë dhe më liberalë që janë hartuar e miratuar në
Shqipëri qysh prej fillimeve të shoqërisë së hapur deri më sot.
Thelbi i këtij ligji është hapja dhe transparenca. Për politikën e
hapjes Këshilli i Europës ka hartuar një akt njësimi të së drejtës
për komunikim, akt që njihet me emrin “Vendimi nr. 13 (2000) i
Këshillit të Europës: për një politikë të përbashkët në fushën e
komunikimit me arkivat”. Të gjitha detyrimet që parashikon ky
dokument janë bërë pjesë e ligjit të ri për arkivat, me ndryshimin
që këto detyrime nuk shprehen më në formë dëshirore, por si
përgjegjësi juridike institucionale. Ligji 9154 “Për arkivat” është
certifikuar nga institucione të rëndësishme europiane, ku shteti
shqiptar është anëtar e ka detyrime, dhe është çmuar lart. Ky
është një ligj i hartuar në bashkëpunim me Arkivat Federale të
Zvicrës, që njihen për kultin e të drejtave të qytetarëve. Nuk
është ligji ai që pengon hapjen e arkivave dhe njohjen e së
kaluarës. Çështja është shumë më e thellë dhe shumë më e
ndërlikuar.
Si drejtues kryesor i shërbimit arkivor shtetëror, duke u përpjekur
të ndërfutem në thelbin e thirrjes së Kadaresë dhe të
pjesëmarrësve të tjerë në debat, nuk kam arritur të kuptoj pse
këta të fundit lexojnë vetëm fjalinë e fundit të letrës së
shkrimtarit, që, ndoshta, është fjalia më rutinë e atij teksti. Mos
ndoshta për të bërë sikur po merremi me këtë thirrje, dhe me
këtë rast gjithçka tjetër që përmban letra mund të lihet lehtësisht
mënjanë?!
Me të drejtë opinionet e përparuara kërkojnë të dalë në dritë
moraliteti (apo imoraliteti) që ka shoqëruar letrat shqipe në
gjysmëshekullin e fundmë. Por kush do ta bëjë këtë? Dihet mirë
se, të paktën që prej Machiavelli-t, politika dhe morali janë ndarë
si dy gjëra të ndryshme. Vënia në vend e nderit të letërsisë dhe
kulturës shqiptare është një çështje që, në mos më shumë,
politika i ka borxh një sjellje të denjë dhe serioze. Me dëshpërim
kam vërejtur se, sa herë kanë hyrë në këtë diskutim shkrimtarë
deputetë ose ish-deputetë, apo shkrimtarë me rol aktiv në jetën
politike, thjesht e kanë çshenjtëruar thelbin e nismës, duke e
vështruar në mënyrën më varfanjake që mund të bëhet; ose e
kanë kthyer në politikë të mirëfilltë (nga duhet të fillohet, nga
letërsia e burgjeve apo nga letërsia e ndaluar, që, për fatin e keq
të autorëve, nuk i çoi edhe këta në burg; cila duhet të jetë radha
e emrave të shkrimtarëve që “duhet t’u bëhet nderi” i botimit të
kritikave të fshehta ndaj veprave të tij etj.).
Përbetimi për hartimin urgjent të një ligji të ri për arkivat është
një prej sjelljeve jo të denja ndaj një shqetësimi të madh. Kur një
shkrimtar që ka udhëhequr për gati një gjysmë shekulli proceset
dhe shijet letrare, si I. Kadare, shtron çështjen e moralitetit të
letërsisë dhe të kulturës, atëherë pyetja e parë që duhet bërë
është: A e ndalon ligji një gjë të tillë? A jep mundësi ligji për t’i
dalë mbanë kësaj çështjeje? A është e përgatitur administrata e
shërbimit arkivor shtetëror për të realizuar të drejtën për hapje
dhe transparencë që siguron ligji? Nëse çështja nuk është e
ndaluar me ligj, përkundrazi, de jure është e hapur dhe gjendja e
shërbimit është e tillë, që kurrë ndonjëherë arkivat në Shqipëri
nuk kanë qenë kaq të hapura, atëherë e keqja duhet parë e
kërkuar në ato që historikisht janë quajtur “ligje të pashkruara”
dhe që kanë të bëjnë me pjekurinë e shoqërisë, së pari të botës
së mendimit; me moralin e sotëm të kësaj shoqërie. Nëse vetë
përfaqësuesit e imunizuar të saj sillen në mënyrë joballore ndaj
çështjes së ndriçimit të moralitetit të letërsisë në kushtet e
shoqërisë ideokratike, unë jam dyshues për të pritur diçka më të
mirë.

Pyetje: Ju thoni, pra, se kjo nuk është çështje e ligjit.
Atëherë çfarë pengon që historia e letërsisë së dënuar të
dalë në dritë?

Përgjigje: Le ta fillojmë nga gjërat më të thjeshta. Arkivat
shërbejnë ato dokumente që kanë pranuar. Arkivat nuk krijojnë
vetë dokumente. Nëse arkivat e shoqatës së shkrimtarëve dhe
artistëve, të shtëpive botuese, të redaksive të gazetave dhe të
revistave, përgjithësisht ato që quhen “arkiva të krijimtarisë“, ku
ruhej deri në fundin e viteve 1980 edhe letërsia e ndaluar (në
dorëshkrim), letërsia e refuzuar, bashkë me recensionet dhe
kritikat që ishin shkruar për to, gjatë gjysmës së parë të viteve
1990 u zhdukën, ose së paku nuk u dorëzuan në Arkivin Qendror
Shtetëror, atëherë çfarë mund të bëjnë arkivat në dobi të
ndriçimit të kësaj historie të dhimbshme? Dhe çfarë mund të bëjë
qoftë dhe një ligj i ri, që të përmbajë një nen të vetëm, si ligji për
shtypin që kishim dikur jo larg, ligji më i shkurtër në historinë e së
drejtës në Shqipëri, i duartrokitur me aq entuziazëm: “Arkivat
janë të hapura“?
Së dyti, gjatë dhjetëvjetëshit të fundmë dy herë është diskutuar
për hapjen e “dosjeve sekrete“, duke nënkuptuar me këto dosjet
hetimore dhe gjyqësore, dosjet e përgjimit dhe të dënimit, dhe në
të dyja herët, me ligj të posaçëm, të hartuar nga bërësit e
politikës dhe për interesat e politikës, çështja është mbyllur me
krijimin e komisioneve përkatëse, si “tetëshja“ e Mezinit apo e
Bezhanit. Në një farë mënyre, leja e këtyre komisioneve për të
prekur atë pjesë të vogël të arkivave që kanë një status ende të
rezervuar, nuk ka sjellë ndonjë rezultat të dukshëm për
moralitetin e mendimit në përgjithësi. Në të kundërtën, dihet nga
të gjithë se ka nga “të betuarit“ e “tetëshes“ që, me gjithë
betimin, e kanë keqpërdorur të drejtën e tyre, duke cënuar
publikisht jetën vetjake të njeriut, që është një nga mitet e
Europës së sotme.
Së treti, çfarë faji rëndon mbi ligjin, kur jo pak intelektualë
shqiptarë shkruajnë libra të tërë për autorë, vepra e ngjarje që
kanë mbetur të mjegullta, si, bie fjala, një studim monografik për
“poemën e zhdukur“ të Kadaresë “Pashallarët e kuq“ apo për
Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, pa e marrë mundimin të
trokasin një herë në arkiva, qoftë dhe për të hequr merakun, që
nuk ka dokumente për këtë subjekt? Nëse ju do të vini dhe të
vlerësoni kategoritë e studiuesve që marrin shërbim në Arkivin
Qendror Shtetëror, duke përjashtuar gazetarët dhe ata që duan
të bëjnë vepra për familjet e tyre, do të vëreni se ka më shumë
studiues të huaj se studiues shqiptarë të pranishëm. Gjatë dhjetë
vjetëve të fundmë numërohen afërsisht 100 teza studimesh
pasuniversitare që studiues të huaj i mbrojnë në universitete të
Perëndimit duke u mbështetur në burimet e arkivave të
Shqipërisë. Për të hartuar një histori të vlerave dhe të moralitetit
të letërsisë shqiptare në gjysmëshekullin e fundmë duhet së pari
të ketë moral më shumë nga protagonistët e sotëm të jetës
intelektuale.

Pyetje: Ju po bëni kështu një akuzë?

Përgjigje: Unë po bëj thjesht një konstatim të dhimbshëm. Për të
qenë më i qartë: disa muaj më parë, kur publikut iu bë e ditur se
po përgatitet një libër me dokumente për mënyrën si është
mbajtur në vrojtim të rreptë letërsia e shkruar nga I. Kadare, një
diskutim i përciptë, gati në jermi, përfshiu shumë intelektualë. U
diskutua për këtë libër aq shumë, saqë shpesh mendoj se kur të
botohet do të ndodhë krejt e kundërta: heshtja. U diskutua për
një nismë, që nuk e pengonte as ligji, as e drejta e tjetrit, apo e
drejta e të tretëve, pa e ditur se ç’do të ketë në këtë libër.
Thuajse të gjithë thanë se “e marrim me mend ç’do të jetë“ dhe
harxhuan mendime në zbrazëti, duke bërë, me këtë rast, objekt
qortimi dhe fyerjeje, edhe shkrimtarin I. Kadare. Kam bërë një
krahasim midis shkrimeve të botuara në vitin 1973 kundër
“Dimrit të vetmisë së madhe“ dhe shkrimeve të botuara në fillim
të këtij viti, kundër një libri me dokumente arkivore për veprën e
Kadaresë në raport me shtetin totalitar. Ajo që kam vërejtur unë
është se 30 vjet që kanë kaluar që nga botimi i romanit të
Kadaresë dhe ndryshimet politike që kanë ndodhur ndërkaq kanë
ndikuar fare pak në mendësinë e një pjese të intelektualëve
shqiptarë. Kjo është aq e vërtetë, sa në librin tim me dokumente
shpesh mendoj se do të ishte mirë të ketë edhe një kapitull
shtesë, me shkrimet e dy vjetëve të fundmë. Le të bëjë vetë
lexuesi krahasime dhe të nxjerrë përfundimet që i thotë mendja.

Pyetje: Kjo do të thotë se ju do ta botoni librin dhe ligji
s’ju pengon?

Përgjigje: Sigurisht. Përndryshe, do të isha bashkuar edhe unë
me ata që, duke mos bërë kurrë ndonjëherë kërkim në arkiva,
apo, ndoshta, duke e ditur shumë mirë se pengesa ligjore nuk ka,
shmangin vëmendjen nga thelbi i çështjes, si të çmohet letërsia
si akt moral përmes njohjes së të shkuarës, dhe krijojnë një
gjendje pengesash të gënjeshtërta.

Pyetje: Këto dokumente kanë autorë. Njerëzit që i kanë
shkruar ato mund të kërkojnë, për shembull, të drejtën e
autorit, apo, bie fjala, mbrojtjen e dinjitetit, që edhe ju e
përmendët. Si i zgjidh ligji këto çështje?

Përgjigje: Sa i takon së drejtës së autorit, kjo mbrohet nga ligji
kur dokumenti nuk është krijuar në emër të detyrës, për të cilën
nëpunësi paguhet, pra, kur burimi nuk është një akt
administrativ; ose kur dokumenti është depozituar si trashëgimi
kulturore. Sa i takon mbrojtjes së dinjitetit të individit, sido që kjo
duket si një çështje më e ngatërruar, do të theksoja se ka një
përkufizim ndërkombëtar terminologjik për atë që quhet
“privacy“. Botimi i shkrimeve të këtyre autorëve nuk ka asnjë
lidhje me jetën intime të tyre. Letërsia është çështje publike, nuk
është idil. Në anën tjetër, sa i takon atij aspekti moral që ligji nuk
e parashikon, unë mendoj se nuk ka pse të vuajë kërkuesi apo
studiuesi i sotëm mungesën e skrupujve të dikujt që nuk e ka
pasur aspak shqetësim të nënshkruajë duke ngulmuar: “kjo vepër
është reaksionare“, “ky libër duhet të hiqet nga qarkullimi“, “ky
autor bën diversion ideologjik dhe diskrediton rendin tonë duke
bërë sikur merret me kinezët“ etj.
Pyetje: Mund të bëhet e njëjta gjë dhe për shkrimtarë e
artistë të tjerë?

Përgjigje: Nuk mund të bëhet e njëjta gjë edhe për gjithë
shkrimtarët dhe artistët e tjerë, sepse rasti i I. Kadaresë është i
pangjashëm me një pjesë të madhe të tyre. Arkivi Qendror
Shtetëror nuk është një arkiv ku ruhen dosjet hetimore dhe
gjyqësore. Kjo kategori dokumentesh ruhet në arkivin e Ministrisë
së Rendit Publik dhe në arkivin e Shërbimit Informativ Shtetëror,
që janë arkiva sistemi, ose arkiva me pavarësi administrative. Me
letërsinë e I. Kadaresë shumë shpesh janë marrë struktura e
nënstruktura të larta partiake e shtetërore dhe kështu
dokumentet e tyre janë bërë pjesë e praktikave administrative e
janë ruajtur në këtë Arkivin Qendror Shtetëror. Kritika të fshehta
kundër shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë në këtë arkiv mund të
gjenden vetëm në rastet kur për ta është diskutuar në të njëjtat
nivele të udhëheqjes partiake e shtetërore të kohës. Të gjitha
dokumentet e tjera, për raste kur një njeri i punës krijuese ka
qenë subjekt i përgjimit apo i “organeve të diktaturës së
proletariatit“, ruhen në arkivat e sistemit që përmenda, të cilët
funksionojnë mbi bazën e të njëjtit ligj. Ata që bëjnë vetë ligjin
dhe pastaj bëjnë fajtor po ligjin, për të kërkuar menjëherë një ligj
të ri, do të duhej fillimisht të pyesnin veten: A e kanë hedhur vetë
ndonjëherë atë hap që hodhi Kadare, i cili, në një kohë kur ligji
për arkivat ishte me më shumë kufizime, gjithsesi arriti të njihej
me dosjen e dy poetëve të dënuar, Blloshmi dhe Leka?

Pyetje: Atëherë mos duhet një ligj i posaçëm për këto
arkiva?

Përgjigje: Në shtetet demokratike nuk mund të ketë standarde
të dyfishta. Po diskutojmë për moralitetin e një letërsie të
kontrolluar vrazhdë prej shtetit dhe nuk mund të përfytyrojmë që
kjo të arrihet duke krijuar standard të dyfishtë. Ligji ekzistues nuk
pengon jo vetëm shkrimtarët e dënuar, por cilindo që është
dënuar, të njihet personalisht me lëndën që përmban dosja e tij.
Në aktet europiane për të drejtën e komunikimit me arkivat kjo
quhet “e drejta e viktimës“. Rezoluta e konferencës vjetore të
Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave (tetor 2003) e rikonfirmon
shprehimisht këtë. Prej kësaj të drejte shtetasi subjekt i dhunës
apo përndjekjes mund të lexojë përmbajtjen e dosjes mbi bazën e
së cilës është dënuar apo ka vuajtur. Por e drejta e njohjes nuk
është vetvetiu e drejtë për botim e aq më tepër për të
personalizuar konfliktin. Kjo bën pjesë në qytetarinë e ligjit. Kjo
është fytyra europiane e ligjshmërisë.
Nëse autoritetet e larta publike të shtetit nuk kanë hallin e
arkivave, por duan të bëjnë një ligj me veprim prapavajtës për
punën e agjenturës së shërbimit të fshehtë në periudhën
komuniste, apo për ato që quheshin “organe të diktaturës“ (polici
politike, hetuesi, prokurori, gjykatë), kjo është një çështje që nuk
ka të bëjë me arkivat, por me pushtetet kushtetues. Në këtë rast
arkivat s’kanë punë as me nismën, as me nismëtarët. Le të
vendosin si t’i udhëheqë kushtetuta. Mosmarrja seriozisht e
çështjeve bën që të flitet në mënyrë diletante për një ligj për
arkiva të hapura dhe për një ligj për arkiva të pahapura.

Pyetje: Çfarë keni ndërmend të bëni, pas rifillimit të këtij
debati?

Përgjigje: Do të vazhdojmë t’u shërbejmë qytetarëve dhe atyre
njerëzve të paktë të dijes që vijnë në arkiva me të gjitha të
drejtat që u takojnë. Do të vazhdoj punën për përgatitjen e librit
me dokumente për mbikëqyrjen zyrtare dhe vullnetare të veprës
së I. Kadaresë gjatë periudhës ideokratike, duke dashur të jap
praktikisht dhe jo me diskutime fiktive një kontribut modest që
njerëzit e sotëm të dinë në ç’proces të ndërlikuar ka kaluar
letërsia shqipe. Qytetarët prej një të njohure mund të kuptojnë të
panjohurën. Prej fatit të letërsisë së I. Kadaresë, dëshmuar me
dokumente, nuk do të jetë dhe aq e vështirë të kuptohet se ç’ka
ndodhur me të tjerët. Shpresoj që kjo të jetë gjithashtu në
shërbim të një njohjeje më të denjë të historisë së letërsisë
shqipe në gjysmëshekullin e fundmë.

1. Intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, datë ______ 2004.
KËTA SHKRIMTARË NERVOZOHEN SEPSE U KA MBETUR LIRIA NË DORË DHE
1
NUK DINË Ç’TË BËJNË ME TË

Pyetje. Prej disa kohësh po vazhdojnë debatet nëse duhet
të hapen e të botohen dosjet e shkrimtarëve dhe në
mënyrë të veçantë nëse duhet të botohet “Dosja K”, siç i
keni premtuar prej kohësh lexuesit përmes shtypit. Kush
e ka krijuar “Dosjen K“ dhe çfarë mund ta pengojë
botimin e saj?

Përgjigje: “Dosja K“ është ende një titull letrar, konvencional, i
zgjedhur më shumë prej shtypit se prej meje, për një koleksion
dokumentesh të mbledhur një nga një nëpër fonde të ndryshme
gjatë tre vjetëve pune e kërkimesh në Arkivin Qendror Shtetëror,
vetë dhe me ndihmën e disa prej specialistëve më të zotë të këtij
institucioni. Ky titull u parapëlqye prej meje duke qenë analogjik
me titullin e novelës “Dosja H” të Kadaresë, në të cilin gjithashtu
është objekt një hetim prapavajtës për “çështjen homerike“ dhe
Homerin vetë. Për të gjetur dhe renditur dokumentet e “Dosjes K“
është dashur të këshillohen me qindra e qindra fashikuj
dokumentesh, duke i kërkuar këto në çdo dosje që përmbante në
titull fjalët “letërsi“, “art“, “kulturë“, apo “shkrimtarë“ e “artistë“.
Kjo ka qenë një punë mjaft e mundimshme. Vetëm në dy-tri raste
emri i I. Kadaresë del qysh në titullin përshkrimor të fashikullit.
“Dosja K“ me sa duket do të jetë përfundimisht një titull libri, që,
siç ishte e pritshme, ka ndarë në “për“ e “kundër“ një pjesë të
madhe të njerëzve të punës mendore në Shqipëri. Ka prej tyre që
e dinë shumë mirë se për çfarë bëhet fjalë, por me shumë qejf e
ngatërrojnë këtë me dosjet e policisë sekrete, me dosjet e hetimit
dhe të dënimeve. Ka të tjerë që, sapo të përmendet fjala “dosje“,
nuk mendojnë tjetër veçse spiunë e agjentë. Madje ka pasur disa
të tillë që e kanë lidhur këtë nismë, në mënyrë krejt akrobatike,
deri me një projekt ndërkombëtar të historisë së “luftës së
ftohtë“, duke e parë edhe këtë të fundit si histori agjenturash.
“Dosja K“ nuk është krijuar nga ndonjë institucion. Lënda e saj
është përmbledhje aktesh të dhjetëra subjekteve: struktura
partiake e shtetërore, shtëpi botuese e organizata partie, individë
dhe ente kolektive. Origjinali i kësaj lënde ruhet tek ajo strukturë
që e ka krijuar. “Dosja K“ ekziston si një nismë për të dëshmuar
me gjuhën e kohës dhe me stilin e burokracisë së saj kontrollin
politik në letërsi në periudhën komuniste. Tashmë kjo nismë
është në procesin e fundmë. Në shoqërinë e lirisë së iniciativave
nuk merret leje për të shkruar e botuar, duke përfshirë edhe
letërsinë dokumentare, duke përjashtuar ato kufizime të pakta që
përmban ligji për komunikimin me arkivat. Qëllimi, siç kam pasur
rast ta them dhe herë të tjera, është shëndetësimi i klimës në
botën e letrave.

Pyetje: Shumë shqetësime i janë paraqitur publikut gjatë
diskutimit të tanishëm pse keni zgjedhur pikërisht
Kadarenë. A mund ta arsyetoni për lexuesin vendimin
tuaj?

Përgjigje: Kërkuesi nuk është i detyruar të japë shpjegime pse
bën këtë apo atë zgjedhje. Por unë po heq dorë nga kjo mbrojtje
që më jep liria që të mos i shmangem pyetjes suaj. Një libër me
karakter dokumentar mund të shkruhet për një subjekt, ngjarje
apo personalitet për të cilin ka dokumente. Në Arkivin Qendror
Shtetëror ruhen qindra e qindra dokumente që kanë të bëjnë me
politikën kulturore që ka ndjekur shteti shqiptar në periudhën
komuniste. Por janë shumë të paktë personalitetet e kulturës, për
të cilët ka dokumente të lidhura drejtpërsëdrejti me emrin e tyre.
Për shkrimtarët numri është edhe më i kufizuar. Udhëheqja e
lartë partiake e shtetërore nuk merrej me gjithçka që shkruhej.
Përveç letërsisë së I. Kadaresë, mund të jenë, ndoshta, edhe 3-4
shkrimtarë të tjerë ka që kanë qenë objekt i drejtpërdrejtë i
vëmendjes politike të shtetit dhe të udhëheqjes. Në një farë
mënyre zgjedhja e Kadaresë vjen në formën e një detyrimi, sepse
Kadare është shkrimtari për të cilin lidershipi politik i vendit ka
qenë vigjilent për më shumë se tri dekada. Kjo do të thotë se një
libër me karakter dokumentar për kontrollin e letërsisë në
periudhën komuniste mund të bëhet duke gjetur subjektin për të
cilin dokumentet nuk mungojnë. Në rast të kundërt, nisma mund
të kthehet ose në një botim të përgjithshëm, që nuk lejon të
kuptohen kushtet historike në të cilat është zhvilluar letërsia
cilësore, ose mund të shthuret në një anketë kujtimesh
subjektive.

Pyetje: Duhet të nënkuptojmë nga kjo përgjigje se nuk ka
dokumente për shkrimtarë të tjerë?

Përgjigje: Unë nuk e përjashtoj të ketë ndonjë dokument të
ngjashëm edhe për disa shkrimtarë të tjerë, sido që nuk kam
bërë ndonjë kërkim të posaçëm. Por vetëm për disa, dhe për këta
me kufizim. Siç ju thashë, lidershipi politik i periudhës komuniste
nuk shqetësohej për këdo. Kishte struktura të tjera, struktura
gjegjëse, në mund të quhen kështu, apo, më saktë, struktura që
ndiqnin jetën dhe punën e shkrimtarëve përpjesëtimisht me
shkallën e talentit dhe të rrezikshmërisë së tyre.

Pyetje: Megjithatë, kjo duket e pabesueshme, duke e ditur
se ka një numër të madh shkrimtarësh që janë dënuar,
madje edhe me burgim. Ku janë dorëshkrimet e tyre? A
nuk ka qenë shteti i vëmendshëm ndaj tyre?

Përgjigje: Pikërisht ky është ndryshimi midis “Dosjes K” dhe
dosjeve të tjera që mund të lidhen me emra shkrimtarësh dhe
artisësh. Për t’iu përgjigjur në mënyrë të padyshimtë pyetjes
suaj: asnjë dosje me karakter hetimor dhe gjyqësor, duke
përfshirë edhe ato të dënimit me vdekje, nuk ruhet në Arkivin
Qendror Shtetëror. Sipas ligjit, këto dosje ruhen në arkivat e
sistemit (pranë Ministrisë së Rendit Publik ose pranë Shërbimit
Informativ Shtetëror). Kështu është vendosur qysh në vitin 1993,
kur u miratua i pari ligj për arkivat në shoqërinë demokratike.
Edhe për I. Kadarenë mund të ketë dokumente në këto arkiva,
por unë nuk kam bërë dhe nuk kam ndërmend të bëj kërkime në
to. Lënda që është gjetur në Arkivin Qendror Shtetëror është më
se e mjaftueshme për të kuptuar kontrollin totalitar të krijimtarisë
së I. Kadaresë. Shumë shkrimtarë e artistë që ankohen, që
propozojnë se cila duhet të jetë radha, nga duhet nisur, ose që
refuzojnë drejtpërsëdrejti që të fillohet me Kadarenë, do të bënin
mirë të drejtoheshin në ato arkiva ku ruhen dokumentet për të
cilat ju pyesni, mbase dhe dorëshkrimet, dhe të mos ngatërronin
dy çështje që janë thelbësisht të ndryshme. Dikur shtypi ka qenë
i mbushur me ankime pse Kadare ishte “i privilegjuari i
udhëheqjes komuniste”. Tani ankimet po shfrejnë në të
kundërtën: pse ka dokumente për Kadarenë dhe jo për të tjerët,
pra, thënë ndryshe, pse udhëheqja komuniste e ka kontrolluar
përmes shumë zyrash e strukturash letërsinë e tij, madje duke
lënë gjurmë në mënyrë të vijueshme dhe gati për çdo vepër. Në
një intervistë të mëhershme kam përmendur “të drejtën e
viktimës” për t’u njohur me dosjen që ka rënduar mbi fatin e tij.
Rasti i “Dosjes K” nuk është një “rast viktime” dhe aq. Unë
mendoj se nuk ka vend për xhelozi absurde pse një “Dosje K”
mund të formohet, me punë e kërkime, në Arkivin Qendror
Shtetëror, kurse për shumë shkrimtarë të tjerë dosje të ngjashme
mund të gjenden duke iu drejtuar arkivave të sistemit ose
arkivave vendorë.

Pyetje: A ka njerëz të botës së letrave që i janë drejtuar
Arkivit Qendror Shtetëror për të kërkuar ose për të
verifikuar së paku nëse kanë qenë, siç thoni ju, objekt i
vëmendjes së udhëheqjes së lartë partiake-shtetërore?

Përgjigje: Sido që të pakët, ka disa. Mund të përmendja Liri
Belishovën, Agim Meron, Fatos Arapin dhe ndonjë rast tjetër të
rrallë.

Pyetje: Çfarë do të ndryshojnë “Dosja K” në vlerësimin e
përgjithshëm të veprës së I. Kadaresë?
Përgjigje: Vepra e I. Kadaresë e ka zënë vendin e vet në
historinë bashkëkohore të letërsisë shqipe me vlerat e
brendshme të saj. “Dosja K”, në këtë kuptim, nuk ka synim dhe
as mund të ndryshojë gjë në këtë vlerësim. Por ky libër do të bëjë
të mundur që studiuesit dhe lexuesit të kuptojnë se ç’do të thotë
të rrosh me vigjilencë, të shkruash me vigjilencë, të jesh
vazhdimisht nën vrojtim, të të tregojnë vazhdimisht kufirin, të
gjendesh në mënyrë të pandërprerë nën ekspertim ideologjik, i
kërcënuar prej vlerësimesh terminologjikisht penalizuese, si:
“vepër armiqësore”, “libër dekadent”, “tallje me regjimin dhe
diktaturën”, “ndikime të hapura borgjeze-perëndimore,
ekzistencialiste, surrealiste, psiko-frojdiste” etj. Sot këto mund të
duken si gjepura, sepse jetojmë në luksin e keqpërdorur të lirisë
së shoqërisë së hapur. Por dikur këto formulime ishin idioma
pretencash gjyqësore. “Dosja K” do të dëshmojë një anë të
panjohur të raporteve të shtetit me artin.

Pyetje: Disa nga pjesëmarrësit në debatin e tanishëm janë
shprehur se me “Dosjen K” mund të spekulohet. Sa e
afërt është kjo mundësi?

Përgjigje: Mund të spekulohet me diçka duke krijuar dokumente
të rremë, duke deformuar vetë përmbajtjen e dokumentit, duke
përditësuar ose duke vjetëruar artificialisht burimet, siç ndodh
rëndom në kohën e sotme. Kemi qenë dëshmitarë letrash e
peticionesh që janë shkruar në mesin e viteve 1990 dhe janë
nënshkruar si të ishin hartuar në mesin e viteve 1970. Spekulim
kur burimet paraqiten në mënyrën më të katërciptë të
mundshme nuk mund të ketë. Në “Dosjen K” do të jenë
dokumentet ato që do të dëshmojnë.

Pyetje: Si e shpjegoni qendrimin mjaft nervoz të një pjese
të pjesëmarrësve në diskutim? Ka të tillë që thonë se e
gjitha kjo bëhet për të ngritur kultin e I. Kadaresë, madje
që është vetë Kadare që e nxit këtë nismë?

Përgjigje: Sikurse e dini, Kadare mësoi se diçka mund të kishte
për të në Arkivin Qendror Shtetëror kur u gjet dhe u botua poezia
“Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Më vonë ka ditur diçka më
shumë, por qendrimi i tij ka qenë krejtësisht i çinteresuar. “Dosja
K” bëhet për të ndezur një dritëzë në zonën e errët të gjykimit të
historisë së letërsisë në periudhën komuniste. Sa për nervozizmin
e një pjese të shkrimtarëve, unë mendoj se çështja është shumë
e thellë, “dramatike”, siç e ka paraqitur një analist i njohur, por
“Dosja K” është thjesht një shkas për të mbuluar këtë realitet
dramatik. Kanë kaluar afro 15 vjet qysh prej kohës së përmbysjes
së sistemit politik komunist. Çdo ditë e më shumë përpara
njerëzve të letrave po del kokëfortësisht pyetja: Ç’vlerë po i japin
lirisë së tyre krijuesit? Dakord, deri në vitin 1990 nuk i ka lejuar
sistemi politik, kontrolli dhe censura; nëse kanë munguar
kryeveprat kjo nuk ka qenë çështje talenti, por çështje “e
kufizimeve të tmerrshme të kohës”. Mirëpo kjo kohë mbaroi, tani
kufizime nuk ka. Atëherë, ku janë “talentet e ndrydhura”, ku janë
“viktimat e censurës” dhe të mungesës së lirisë? Çfarë
kryeveprash kanë dalë, çfarë letërsie po shkruhet, që të hyjë në
tekstet shkollore dhe në antologjitë e letërsisë? Eshtë më se
dramatike të thuhet që ngjan se një pjese të madhe të botës së
krijuesve liria u ka mbetur në dorë dhe nuk po dinë çfarë të bëjnë
me të. Kjo është pyetja e vërtetë që i bën nervozë një pjesë të
shkrimtarëve. Në mungesë të veprave të kryera, për të mos
pretenduar për vepra të përkryera, ata bëjnë sikur nervozohen
me një iniciativë që ka për qëllim thjesht të certifikojë një raport,
një marrëdhënie, lidhjet e lirisë me shtetin. Mirëpo shtrimi i kësaj
çështjeje, për më tepër për periudhën totalitare; në formën
“Kadare dhe liria“; duke e ditur paraprakisht se në këtë formë do
të shkohej drej përfundimit se shkrimtarët e talentuar kanë
arritur të shkruajnë kryevepra edhe në kushtet e kontrollit
tërësor, ata i alarmon, sepse duhet më parë të përgjigjen ç’vlerë i
kanë dhënë lirisë së tyre.

Pyetje: Mos ndoshta jeni tendencioz, ose së paku
subjektiv, për shkak të interesave që ju lidhin me librin
tuaj?

Përgjigje: Unë nuk e përjashtoj që të ketë vlerësime vetjake në
këtë përgjigje. Mirëpo shumë herë janë krahasimet ato që na
shpëtojnë nga grackat e mashtrimet. Pyetjes suaj unë do t’i
përgjigjesha me një pyetje: A e dini se, gjatë periudhës midis dy
luftërave, gjatë dy dekadave të shtetit të pavarur shqiptar (1920-
1939), pra, afërsisht në aq kohë sa ka kaluar prej kalimit në
shoqëri të lirë, pikërisht në kohën e “Shqipërisë anakronike“, të
“Shqipërisë anadollake“, të “Shqipërisë së mizerjes“, lulëzuan
talente të tillë të fuqishëm, si Poradeci, Kuteli, Migjeni, veç të
tjerëve që ishin formuar më herët dhe e vazhduan krijimtarinë e
tyre si konkurrentë të denjë? Merrni dhe krahasoni shqetësimet e
botës letrare në atë periudhë, që, veç të tjerash, kishte dhe
institucionin e specializuar të censurës, dhe do të vëreni se
këtyre shqetësimeve iu gjet një yllësi personalitetesh, ku nuk do
të mungonin dhe Mio, Buza e Paskali, Tefta Tashko e Lola Gjoka.

Pyetje: Sipas mendimit tuaj, nga ç’pjesë e opinionit vijnë
më shumë reagimet kundërshtuese?

Përgjigje: Ajo që kam mundur të vërej unë është se
kundërshtimet vijnë kryesisht prej brezit të mesëm të krijuesve.
Nuk e di a mund të quhet e çuditshme apo ndoshta ka një
shpjegim, por fakt është se ajo pjesë e nëpunësisë partiake-
shtetërore që ka qenë e ngarkuar me përgjegjësinë e kontrollit të
letërsisë vërej se tani për tani ka një qendrim të tërhequr, të
heshtur, mbase në pritje. Kjo është arsyeja që më bën të ritheksoj
se nervozizmi më i madh vjen prej motivesh që nuk lidhen
drejtpërsëdrejti me lëndën. Të parët janë të pakënaqurit pse nuk
ekzistojnë dokumente kontrolli dhe ekspertize edhe për ta, që do
të thotë, paradoksalisht, pse udhëheqja e shtetit komunist nuk ka
qenë e ashpër me ta; gjë që para një dekade e gjysmë nuk do të
kishin dashur ta shkonin kurrë në mendje. Një grupim i dytë është
ai i të pakënaqurve që nuk po i japin dot vlerë lirisë së tyre.

Pyetje: Cili është dëmi që i ka shkaktuar letërsisë së
Kadaresë kontrolli politik, sipas dëshmive që ju do të
përfshini në libër?

Përgjigje: Dëmi më i madh që mund t’i bëhet një letërsie është
t’i heqësh lexuesin e parë. Letërsisë së I. Kadaresë kjo i ka
ndodhur rregullisht. Ka vepra të tij që u është hequr dhe u është
vonuar lexuesi i parë për 15-20 vjet (“Përbindëshi“). Ka të tjera
që lexuesi u është vonuar 5-7 vjet (“Dimri i vetmisë së madhe“,
“Gjakftohtësia“). Poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ u
botua vetëm para dy vjetësh, pra, me 27 vjet vonesë, kur kishte
ndodhur një përmbysje e tërë politike dhe lexuesi i kishte harruar
krejtësisht shqetësimet e mesit të viteve 1970 dhe ndoshta nuk
arriti ta kuptojë përmbajtjen e saj.. Seria prej 12 vëllimesh e
“Veprës letrare“ të Kadaresë u botua pa vëllimin e 11-të, sepse
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“ nuk arriti ta marrë pëlqimin
politik as pasi kishin kaluar 6-7 vjet. Eshtë e ditur se shumica e
veprave të I. Kadaresë kanë kaluar nëpër një proces të gjatë
rehabilitimi, duke mbetur kështu pezull: gjysmë të pranuara e
gjysmë të dënuara, gjysmë të fshehta e gjysmë të lejuara.
Letërsia bëhet për t’u komunikuar. Nëqoftëse letërsisë i pengon
komunikimin, nuk mund t’i bësh dëm më të madh.

Pyetje: Eshtë thënë se po të hapen dosjet Shqipëria do të
bëhet lëmsh. A e ndieni edhe ju këtë rrezik?

Përgjigje: Në Shqipërinë tonë të dhimbsur çdo burim arkivor
quhet dosje, sikur edhe një foto të Marubit të ketë, dhe po u
përmend fjala “dosje“ ka një zell të përgjithshëm për të
nënkuptuar me to vetëm agjenturat dhe policinë e fshehtë. Në
Shqipërinë tonë të dhimbsur ende përndjekja quhet meritë dhe jo
dramë. Unë u përpoqa të bëj dallimin thelbësor midis “Dosjes K“,
që është një libër me burime dokumentare për kontrollin politik të
letërsisë, dhe dosjeve të hetimit dhe të dënimit, që nuk kanë
asnjë lidhje, as fizike dhe as administrimi, me Drejtorinë e
Përgjithshme të Arkivave. Ata që kërcënojnë Shqipërinë me rrezik
“për shkak të ‘Dosjes K’“ është më mirë të thonë se kanë frikë
prej dosjeve të ish-policisë politike dhe unë dëshiroj t’ua heq
drojën, duke i siguruar se dokumentet që përmban ky libër janë
shfrytëzuar sipas ligjit që ka miratuar Kuvendi dhe kjo punë nuk
ka lidhje me atributet e “tetëshes“ së pastërtisë. Veç kësaj,
“rrezikun“ prej dosjeve po e frymëzojnë pikërisht disa prej atyre
që, në emër të detyrës, kanë bërë verifikimet e galerisë së sotme
politike të Shqipërisë dhe pastaj në emër të interesave të tyre të
vogëlith kanë shpërdoruar besimin e institucionit ligjvënës dhe
kanë mbushur gazetat me pseudonime.

Pyetje: Ka mendime se ju po e tejkaloni të drejtën tuaj!

Përgjigje: Në Shqipëri ekziston liria e kërkimit shkencor-
akademik. Në Shqipëri ekziston ligji për komunikimin me arkivat.
Në Shqipëri ekziston dëshira për rinjohje. Nuk i kuptoj dhe nuk
kam energji të mjaftueshme që njëherësh të merrem me punë
dhe t’u kushtoj vëmendje këtyre klithmave. Përgjithësisht jam i
prirur që të mos vuaj komplekset e tjetrit. Situata të tilla nuk më
ndodhin për herë të parë. Në vitin 1991, kur sapo ishte krijuar
shtypi opozitar shqiptar, për shkak të një polemike, disa miq të
mi të atëhershëm dhe të sotëm, të rreshtuar politikisht në një
krah tjetër, më patën habitur kur, në një replikë publike, në vend
që të diskutonin për çështjet objekt debati, më pyesnin
drejtpërsëdrejti: “Në vend që të merresh me programet
elektorale, a mund të na thuash ku gjenden arkivat e I.
Kadaresë?“ Afër një dekadë e gjysmë më vonë janë thuajse po
këta protagonistë, që gjithsesi mbeten në rrethet e mia miqësore,
duke qenë po në të njëjtin rreshtim politik si dikur, që shtrojnë
publikisht pyetjen e kundërt: “Pse duhet të merret ky njeri me
arkivat e I. Kadaresë?“. Këta që thonë se po tejkaloj të drejtën, së
pari duhet të pranojnë se një herë kanë gabuar: ose më 1991,
ose sot. Së dyti, dhe kjo është më e rëndësishmja, do të ishte më
e denjë të prisnin botimin e librit. Kritika fatalisht është
aposteriorike. Ky është fati i saj. Duhet të shkruhet një vepër dhe
pastaj të bëhen kritikat. Të nxjerrësh kritikën para veprës të
kujton një proverb jo aq të ëmbël.

Pyetje: Si do ta titullonit me një fjalë të vetme
përmbledhjen e parë me dokumente që keni ofruar për
gazetën tonë për botim?

Përgjigje: Fillimisht kisha menduar të përdorja fjalën e njohur
“antologji“. Mirëpo për fat u kujtova se kjo fjalë vjen nga
greqishtja, dhe do të thotë “lulet e fjalës“ (nga “anthos“ - lule dhe
“logos“ - fjalë). Prandaj hoqa dorë prej këtij termi. Ta quash
“krestomaci“, ngjan si përmbledhje dokumentesh për kohëra
shumë të hershme. Një term të përkundërt, antonimik, me
“antologji” në shqip nuk kemi, sepse ky do të kishte qenë më i
përshtatshmi: bie fjala, “shpimet e fjalës“ apo “gjembat e fjalës“.

Pyetje: A nuk ju duket se po u jepni një rëndësi të
pamerituar këtyre dokumenteve, duke e ditur sse për
letërsinë e I. Kadaresë janë botuar me dhjetëra artikuj
kritikë?

Përgjigje: Për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj për rëndësinë e
dokumentit do të më duhet të kthehem pak larg në kohë. Në
ungjillin sipas Mateut thuhet: “Atëherë Pilati u tha atyre që ishin
mbledhur aty: “Cilin dëshironi të liroj, Barnaba-n apo Jezuin që
quhet Krisht?“. ”Barnaba-n“, u përgjigjën ata. E Pilati i pyeti:
“Ç’të bëj, pra, me Jezuin që quhet Krisht?”. Të gjithë u përgjigjën:
“Të kryqëzohet!” Dhe ai u tha: “Ç’të keqe ka bërë?”. Por ata
bërtitën edhe më fort: „Të kryqëzohet!” (Mt. 27: 17-24).
Që atëherë thuhet proverbi: “Lau duart si Pons Pilati!”.
Dëshmi të njohura historike tregojnë se Pilati qe shumë i
vëmendshëm ndaj të gjitha ngjarjeve tronditëse që ndodhën në
tokën e Jeruzalemit prej kryqëzimit të Krishtit deri në ringjalljen e
tij dhe pastaj në ditët që vijuan. Ai pati hartuar një raport të
hollësishëm drejtuar kryeqendrës së perandorisë, Romës, ku
shpjegonte veprimet e veta dhe shpërthimin e revoltës popullore.
Por ai raport nuk mbërriti kurrë në Romë. Anija me të cilën u nis
dokumenti fatalisht u fundos në ujërat e Mesdheut dhe gjurmë
prej saj nuk mbeti2.
Ndoshta, po të kishte mbërritur ai raport në kryeqendër të
perandorisë, as Pons Pilatit nuk do t’i rëndonte ndër mijëvjeçarë
mëkati tragjik, as “Dekreti i së dielës”, dekreti i perandorit
Kostandin, nuk do të ishte vonuar deri në vitin 321.

1. Intervistë dhënë gazetës “Korrieri”, 14.06.2004.
2. Harvey Sarner, në librin “Shpëtimi në Shqipëri“, Brunswick Press,
1997, f. 8-9, shkruan: “Legjenda thotë se 2000 vjet më parë, një
anije e nisur drejt Romës me një ngarkesë plot e përplot me skllevër-
hebrej nga Palestina, e kishte ndryshuar drejtimin, e detyruar nga
stuhia e detit, duke i zbarkuar ata në brigjet e Ilirisë. Romakët nuk
bënë përpjekje për t’i kapur të ikurit, ndoshta menduan se ata do të
zhdukeshin prej kushteve natyrore ose prej egërsirave. Sipas
legjendës, hebrejtë nuk u zhduken prej bishave siç menduan
romaket. Vendësit, megjithëse ishin përfshirë në luftëra kundër
romakëve, u dhanë ndihmë të sapoardhurve. Kjo mendohet të ketë
ndodhur në Iliri, një vend që nuk gjendet në hartat moderne.
“Enciklopedia Hebraike” nuk e përmend legjendën e anijes së
humbur. Me përjashtim të kësaj legjende, asnjë fakt tjetër nuk
gjendet për të cilësimin e ngulimeve hebreje të “valës së parë“ me
hebrejtë “romaniotë“. Por, po t’i referohemi historianit hebreo-latin
Flavius Josephus janë disa fshatra në Shqipëri, të cilët në kohët
antike kanë pasur popullsi hebreje dhe disa madje kishin emra
hebrej, si, bie fjala, Palasa - Palestina, ose Orikum - Jericho”.

1
FRIKA PREJ DOKUMENTEVE VJEN PREJ SË SHKUARËS
Pyetje: Eshtë rihapur, madje mjaft ashpër, debati për
“Dosjen K”. Vazhdoni të mendoni se me të vërtetë duhet
ta botoni këtë libër?

Përgjigje: Ky libër tashmë është një realitet, jo një ide. Gjatë një
periudhe afro-njëvjeçare janë botuar në shtyp rreth 20
dokumente. Në një pikëpamje, pjesa tjetër e dokumenteve
pasuron kryesisht galerinë e faktorëve dhe subjekteve që kanë
marrë pjesë në mbikëqyrjen e fshehtë politike të veprës së I.
Kadaresë. Nga pikëpamja e përmbajtjes, pjesa e pabotuar e tyre
është thuajse homogjene me atë të botuar.

Pyetje: Janë ushtruar presione ndaj jush për të penguar
botimin e këtij libri?

Përgjigje: Presione janë ushtruar dhe unë nuk kam pritur të
ndodhë ndryshe. Ky është një libër që ka të bëjë me ndërgjegjen
intelektuale të krijuesve dhe për këtë arsye vazhdimisht
shprehen ndjesi të papritura. Format e presionit kanë qenë: prej
“këshillave miqësore” për të mos u marrë me këtë çështje, deri
tek thirrjet “në emër të ligjit“. Një shkrimtar që rron ka kohë në
mërgim më shkruante para disa muajsh se, megjithëse ishte mik i
I. Kadaresë dhe megjithëse shumë herë e kishte mbrojtur atë
publikisht, mbi të gjitha ishte “për virtytin” dhe për këtë arsye
detyrimisht ishte kundër librit! Të tjerë shkruajnë a pohojnë se ky
“është një shërbim vetëm për Kadarenë“, madje “një shërbim që
ai nuk e meriton“. Më të pabesueshmit janë ata që ngulin këmbë
se një libër për mbikëqyrjen politike të letërsisë në periudhën
ideokratike është mirë të shkruhet, por ky pikë së pari nuk duhet
të jetë një libër për Kadarenë dhe mbi të gjitha nuk duhet të
shkruhet nga Sh. Sinani! Shpesh më duhet të humb kohë në
përpjekje të dështuara për të kuptuar zëdhënës të tillë të botës
së letrave, të cilët, si pashallarët e qëmoçëm, kujtojnë se njerëzit
duhet t’u marrin leje për çdo gjë! E çuditshme, vërtet, por kjo
mendësi totalitariste dhe mbikontrolluese rron fisnikërisht në
larmi formash nga më të papërfytyrueshmet. Përfundimi i këtyre
presioneve është që burimet të rrinë mbyllur.

Pyetje: A mund të përcaktoni për lexuesin e “Shekulli-t”
grupimet më të përveçuar të kundërshtarëve të kësaj
nisme?
Përgjigje: Unë i kam ndjekur me shumë vëmendje
paravlerësimet që janë bërë për këtë nismë. Sido që e kam pritur
të ketë kundërshtime, nuk e kam imagjinuar të ketë kaq shumë
frikë nga hapja dhe kaq shumë sajime për të vënë mure të rinj
midis burimeve dhe publikut. Ajo që kam arritur të kuptoj unë
është se ka më shumë mure në kokat e njerëzve, madje edhe tek
ata që janë vetëpërcaktuar si “mendimtarë të lirë”. Frika nga
hapja është frikë nga e shkuara. Unë përpiqem t’i mirëkuptoj,
“me mendje e me zemër”, sikurse shprehet shkrimtari Visar Zhiti,
kundërshtimet e disa prej përfaqësuesve të “letërsisë së
burgjeve”. Sigurisht, nuk është faji i tyre që pakogjë ka rezultuar
të ketë vlerë antologjike, pa folur për kryevepra. Në fund të
fundit, ata nuk u dënuan që të shkruajnë letërsi, por që të mos
shkruajnë letërsi. Paragjykimi u krijua në periudhën e kalimit nga
njëri sistem në tjetrin, kur u pohua me brohorimë se asgjë e së
shkuarës nuk vlente dhe tani do ta shihnim letërsinë e vërtetë!
Në fakt, u mbajtën ligjërata akademike edhe drejtpërsëdrejti
kundër veprës së I. Kadaresë, në kuadër të “refleksioneve
demokratike”, pikërisht për t’i hapur rrugën kësaj “letërsie sfide“.
Një prej ligjëratave të mbajtura me këtë rast e ruaj në formë të
daktiloshkruar në arkivin tim vetjak, por nuk e pashë me vend të
përfshihej në libër, pikërisht për të mos nxitur opozicione që
shpresojmë të jenë tashmë të së shkuarës. Eshtë fakt se në atë
fillim të periudhës së re politike, në Shqipërinë e viteve 1990 e
këndej, u ngulit mendimi se përndjekja është një meritë mbi
meritat. Mirëpo me kalimin e viteve mendësia shqiptare filloi të
ndryshojë. Më në fund është arritur të kuptohet se përndjekja
është një fatkeqësi, që meriton ndjesë dhe ofrim mundësish për
të fituar kohën e humbur, por nuk është as privilegj, as epërsi.
Përfaqësues të “letërsisë së burgjeve” gjithashtu po e kuptojnë se
në art mbi të gjitha vlen talenti dhe jo vuajtja. Por një pjese të
tyre u duket se rikthimi i autoritetit të Kadaresë është rikthim i
autoritetit të realizmit socialist dhe njëherësh kjo përjetohet si
humbje e “privilegjit” të përndjekjes. Prandaj më duket se e kanë
të vështirë të pajtohen me realitetin që përmban “Dosja K”, ku
dëshmohet kontrolli i fshehtë politik i përfaqësuesit më të
rëndësishëm të letërsisë shqipe të gjysmëshekullit të fundmë. Një
grupim tjetër përbëhet prej disa shkrimtarëve të brezit që pasoi
Kadarenë e Agollin dhe që prej kohësh e kanë parë veten jashtë
konkurrencës, por si rregull janë ngushëlluar me arsyetimin se
“Kadarenë e ka ngritur lart shteti”, prandaj nuk ishte faji i tyre që
nuk e arrinin dot. Edhe këta nuk do të donin që “Dosja K” të
botohej, sepse kështu do të shembej argumenti i gënjeshtërt i
“fatit” të konkurrencës. Natyrisht që ka edhe shkrimtarë që e
kundërshtojnë këtë libër sepse kanë kontribuuar edhe vetë për të
mbikëqyrur letërsinë e Kadaresë apo letërsinë në përgjithësi, por
këta janë më të paktë. Sigurisht ka fatkeqë që nuk e dinë se një
dosje arkivore nuk do të thotë dosje sigurimi dhe se në Arkivin
Qendror Shtetëror nuk ka asnjë të këtij lloji. Një takëm
kundërshtarësh mund të cilësohen të tillët që e çmojnë veten të
vetëmjaftueshëm dhe parimisht janë kundër çdo iniciative që nuk
u ka shkuar ndërmend atyre vetë. Këta thonë, për shembull, që
një libër për rindërtimin hipotetik të poezisë “Në mesditë Byroja
Politike u mblodh” dhe të fatit të saj tragjik mund të sjellë
ndikime pozitive për të kuptuar zhvillimin e letërsisë në
periudhën komuniste, por njëherësh janë kategorisht kundër që
për këtë çështje të flitet përmes dokumenteve. Së fundmi, është
grupimi i njerëzve të politikës, që flasin për “Dosjen K” duke
pasur në mendje qëllime krejt të tjera. Më e çuditshmja është se
nuk kam vënë re të reagojë ndokush kur iniciatorë shqiptarë kanë
depozituar me shumë zell pranë komisonit “Nobel” ose në
institucione të tjera ndërkombëtare dosje me shpifje nga më
histeriket kundër Kadaresë. Heshtja ndaj këtyre akteve dhe
shpifjet e çfarëdollojshme kanë bërë që gazetarë naivë të
Perëndimit, padyshim të nxitur prej ligësisë vendëse, të pyesin
seriozisht I. Kadarenë nëse “ka qenë për një farë kohe drejtor i
burgut të Spaçit“! Ekzistenca e dy standardeve: një në parim dhe
një tjetër për personat konkretë; një për ata që e nxijnë figurën e
Kadaresë dhe një tjetër për ata që duan të certifikojnë në mënyrë
të dokumentuar një proces shumë të vështirë, që do të ndikonte
edhe për një kuptim më të vërtetë të letërsisë së kohës së re,
përbën një dyshim të madh për qëllimet e mbara dhe “të
virtytshme” të kundërshtimit. Aleanca e mesataristëve të
realizmit socialist me atë pjesë “të dëshpëruarish” të “letërsisë
së burgjeve”, që tani po e kuptojnë se mund të humbin edhe të
vetmen “epërsi” të trashëguar, përndjekjen, e bën më të fortë
presionin.
Unë e kuptoj mirë mosdurimin e mesataristëve. Në fakt, ky është
persekucioni më i madh: mungesa e talentit. Ky është
persekucion prej së larti, nga hyjnia, jo nga pushteti. Një prej
gjërave më të pashpjegueshme të fatit të njeriut është pabarazia
në dhunti. Edhe ideologjia komuniste, që është më barazitiste se
vetë krishtërimi, nuk i ka gjetur shpjegim kësaj pabarazie të
lindur, për të cilën individi nuk mund të bëhet fajtor, por dhe vetë
individi duhet ta pranojë fatin e vet.
Ajo që unë nuk kuptoj është njëlloj nervozizmi nga shkrimtarët e
dënuar. Këta shkrimtarë nuk u futën në burg që të bëjnë letërsi.
Po të ishte për të bërë letërsi, atyre mund t’u jepej leje krijuese.
Shkrimtarët e dënuar, në vend që të mbështesin hapjen e
arkivave për të zbuluar në ç’kushte u zhvillua letërsia e I.
Kadaresë, e cila ishte ndoshta po aq e kontrolluar sa edhe letrat e
tyre familjare, përkundrazi, në një pjesë të madhe të tyre, janë
shprehur kundër. Me përjashtim të P. Arbnorit, V. Zhitit, S. Bejkos,
plot të tjerë duket sikur mendojnë se zbulimi i regjimit të rreptë
të kontrollit mbi letërsinë e Kadaresë do t’u heqë duarsh të
vetmin privilegj që u mbetet: persekucionin. Në fakt, qoftë edhe
për arsye pragmatiste, pa hyrë në arsye më të thella, ata do të
duhej të kërkonin diçka të ngjashme me veten në fatin krijues të
Kadaresë. Në këtë mënyrë do të lartësonin edhe veten.
Më bën përshtypje se në brezin më të ri të letërsisë ka më shumë
frymë hapjeje. Do të veçoja midis përfaqësuesve të këtij brezi
poetët M. Ahmeti, A. Tufa dhe ndonjë tjetër. Kjo më bën të besoj
se mbi këtë brez rëndojnë më pak mëkate. Nuk më çudit,
përkundrazi, fryma e kundërshtimit e brezit të ndërmjetmë, brez
që nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me veprën e Kadaresë,
të paktën me aq sa del nga dokumentet, por, analizuar në
mënyrë psiko-kritike, indirekt shfaq një ndjenjë faji të pazbuluar,
që mund të ketë lidhje me subjekte të tjerë.

Pyetje: Eshtë thënë publikisht se po shfrytëzoni detyrën
për të përgatitur “Dosjen K“, apo, më saktë, “keni
privatizuar” funksionin për qëllime vetjake?

Përgjigje: Po, e kam dëgjuar me çudi këtë pohim, të nyjëtuar
tani së fundmi edhe nga z. Lubonja (junior). Më është dukur një
pohim nën nivelin e formimit të tij. Sot ka shumë njerëz, në
Shqipëri e në botë, që tremben me arsye nga të drejtat
përjashtimore, monopolet dhe lehtësirat e përveçme, që
funksionarë të pushtetit i krijojnë herë-herë vetes. Ky është një
shqetësim krejt me vend për pronësinë ekonomike. Por në punët
e letrave dhe në pronësinë intelektuale nuk mund të ketë as
privatizim, as monopole. Imagjinoni çfarë lajthitjeje globale do të
ishte që dikush të pretendonte “privatizimin” e kërkimeve
arkeologjike, për shembull! Unë kam vënë re se njerëz të tillë, që
ankohen pse drejtori i arkivave e ka marrë këtë iniciativë dhe
pastaj thonë se ky po e privatizon iniciativën, nuk kanë shkelur
kurrë ndonjëherë në mjediset e arkivave, për të kërkuar një
dëshmi a një burim. Pra, këta as e shkojnë ndërmend për të bërë
kërkime, as duan të bëjnë kërkime të tjerët. Dhe në rastin kur
dikush i hyn një kërkimi, ata duan të përcaktojnë radhën. Dhe në
rast se ky i fundit radhën nuk ua pranon, atëherë thonë se ky
është privatizim i institucionit. Zotin Lubonja me kohë e kam
këshilluar miqësisht që, në mos për tjetër, të paktën të
interesohet në arkivat përkatës, konkretisht në arkivin e
ministrisë së rendit, për dorëshkrimet që mund të jenë ruajtur
pasi ia konfiskonte policia kur ishte në burgjet e komunizmit. Ai
nuk ka treguar ndonjë interes as për këtë. Unë gjithsesi arrij ta
kuptoj nënçmimin e tij ndaj burimeve të shkruara, por nuk mund
ta gjej dot kuadrin logjik të alarmeve të tij se drejtori i arkivave
po bën “privatizimin” e një pasurie, që është jomateriale. Pasuria
e letrave është e paprivatizueshme. Siç thotë Dritëroi, pasuria
shpirtërore shtohet duke u ndarë, kurse pasuria materiale
pakësohet duke u ndarë. Për mua çështja është shumë e
thjeshtë: ata që e shohin pa vend këtë nismë le të urdhërojnë të
bëjnë diçka tjetër më të mirë dhe mbase kështu ia arrijnë që
“Dosja K” të dështojë! Mirëpo deri tani nuk është ndërmarrë
asnjë iniciativë, qoftë dhe një e vetme, për të bërë diçka të
ngjashme, natyrisht jo për Kadarenë dhe natyrisht jo si drejtori i
arkivave.

Pyetje: Eshtë shkruar se “Dosja K” nuk mund të sjellë
asgjë të re përderisa në shtypin e kohës kanë qenë botuar
shkrime mjaft kritike për veprat e Kadaresë. Rasti më i
njohur është ai i fushatës gati njëvjeçare kundër “Dimrit
të vetmisë së madhe”. Cili është mendimi juaj?

Përgjigje: Eshtë e vërtetë se për veprat e I. Kadaresë janë
botuar thuajse vijimisht shkrime kritike. Disa prej tyre kanë qenë
kryeartikuj. Të tjerë kanë pasur emra të përveçëm. Por ka një
dallim të madh, etik në radhë të parë, pastaj edhe intelektual.
Gjërat e fshehta asnjëherë nuk janë njësoj si gjërat e hapura.
Edhe artikulli më i keq i publikuar është me një status tjetër në
krahasim me kritikën e pabotuar.

Pyetje: Ju vetë kenë qenë recenzent i disa librave që u
paraqiteshin shtëpive botuese në periudhën komuniste.
Nuk ju tremb kjo pjesë e së shkuarës suaj?
Përgjigje: Po, kam qenë recensues për disa libra, madje për disa
libra problematikë. Se cila ka qenë sjellja ime me shkrimtarët në
atë kohë, duke përfshirë rolin tim si recensues, kushdo mund t’u
drejtohet autorëve të veprave që kam recensionuar, të cilët, në
fakt - kështu ka qëlluar - në atë kohë jo vetëm nuk shiheshin me
sy të mirë, por kishin edhe ndonjë problem me pushtetet, si: Prof.
Ramadan Sokoli, Dr. Ibrahim Rugova, Zija Çela, Fahri Balliu,
Arben Imami, Petraq Kolevica dhe të tjerë. Për fat të keq, një
pyetje e tillë nuk mund t’i bëhet më të ndjerit Teodor Keko, mikut
tim të mirë, librat e të cilit gjatë gjithë periudhës komuniste dhe
për disa vite më pas i kam recesionuar unë. Për recensionin që u
vu në vend të hyrjes në botimin e librit të I. Rugovës “Vepra e
Bogdanit“, madje, pati kritika të rrepta në shtypin letrar, deri sa u
arrit në përfundimin se “nuk mund të kërkohet humanizëm në një
vepër me përmbajtje teologjike“. Për më tepër, kjo polemikë u bë
objekt diskutimi edhe në takimin e R. Alisë me intelektualët e
kryeqytetit në gusht të vitit 1990.

Pyetje: Do të jetë në përbërje të librit tuaj edhe çfarë
është trashëguar nga “ekspertimet” e Kadaresë për
letërsinë e autorëve të tjerë?

Përgjigje: Në fondet e AQSH nuk është gjendur ndonjë “akt
ekspertimi” nga I. Kadare. Unë nuk mund të krijoj dokumente për
trille të njërit a tjetrit. Besoj se po të kishte pasur “viktima” të
ekspertimeve prej I. Kadaresë, këto tashmë do të kishin gjetur
mënyrën për të “marrë meritat”. I vetmi rast që kam arritur të
njoh përsa i takon këtij roli të paramenduar të I. Kadaresë lidhet
me një hetim kundër një poeti të ardhur nga klasa punëtore diku
nga viti 1987. Ky rast më është bërë i njohur nga avokat
Ferdinand Doja, i cili në atë kohë ka qenë hetues i çështjes. Për
shkak të një poezie të dobët, me një frymë humanizmi mbiklasor,
të kopjuar nga një revistë fetare e viteve 1930, ky shkrimtar qe
akuzuar për “krime kundër shtetit”. Juristi Doja, duke mos pasur
bindje se ky njeri përfaqësonte një rrezik për shtetin, iu drejtua
shkrimtarit I. Kadare për të marrë prej tij një vlerësim me shkrim
rreth poezisë. Në këtë vlerësim të Kadaresë thuhet se poezia
është vulgare, pa ndonjë vlerë, dhe, mbi të gjitha, pa asnjë
shenjë rreziku politik. Pas depozitimit të këtij ekspertimi, çështja
u pushua dhe poeti minator u la i lirë. E gjithë kjo është një histori
interesante, për të cilën juristi Doja dhe shkrimtari I. Kadare
mund të ofrojnë shumë më tepër informacion dhe madje edhe
dokumente.

Pyetje: Edhe një herë për të drejtën ligjore për botimin e
këtij libri?

Përgjigje: Do të ishte, padyshim, një “shenjë e keqe” që drejtori
i arkivave t’i japë më shumë të drejta vetes se të drejtat ligjore të
parashikuara për qytetarin. Por është tejet e pakuptimtë që të
kërkohet që drejtori i arkivave të ketë më pak të drejta se
qytetarët. Në fakt, në të kundërtën, ekziston një normë
ndërkombëtare e pranuar prej të gjithëve, “droite de
derrogation”, e drejta e përjashtimit, që u njihet disa autoriteteve
publike me ligj, sepse arkivi nuk mund të mendohet si një burg
dokumentesh. Ndër këta autoritete është dhe drejtori i arkivave.
Por fatmirësisht ende nuk më ka lindur nevoja që ta përdor këtë
të drejtë.

Pyetje: Gjithnjë e më shumë flitet se ka “dy Kadare“. A
nuk ju shqetëson fakti se ju mund t’i vini në ndihmë
Kadaresë pikërisht në një çast të tillë?

Përgjigje: Mendimi im është se nuk ka “dy Kadare“, por ka dy
periudha politike që Shqipëria i përjetoi në fundshekullin e kaluar.
Pjesëmarrja e Kadaresë në jetën politike ka qenë një pjesëmarrje
qytetare. Ai nuk u bë asnjëherë veprimtar i politikës aktive. Pra,
nëse flitet për “dy Kadare“, një gjykim i drejtë mund të jepet
duke iu referuar shkrimtarit Kadare. Në këtë rast pyetja do të
ishte më me vend të shtrohej në formën: A e ka ndërruar lexuesin
I. Kadare? Pra, a e ka nxjerrë ai në plan të dytë lexuesin shqiptar
për t’iu drejtuar një lexuesi tjetër, për shembull, lexuesit francez?
Unë mendoj se në të dyja periudhat lexues i parë i Kadaresë
mbetet lexuesi shqiptar. Në veprat e botuara pas vitit 1990
sundon po ai etnografizëm tipik i letërsisë së mëhershme të
shkrimtarit, forcohet ndjeshmëria gjuhësore e tij dhe rritet roli
pasurues i fondit leksikor shqip, spikatet etnotipi shqiptar, me
virtytet dhe cenet e tij, me psikozat masive dhe komplekset
etnike. I. Kadare i riktheu letërsisë së botës shqiptare atë
përmasë ndërkombëtare që i pati dhënë Marin Barleti pesë
shekuj më parë. Përpjekjet “për të çmontuar“ veprën letrare të
Kadaresë duke e ndarë në “pjesë të ndërrueshme“ në një farë
mënyre përbëjnë një atentat ndaj letërsisë së gjysmëshekullit të
fundit dhe përmasës ndërkombëtare të saj. Në traditën botërore
ka dy lloje identifikimesh të letërsisë: përmes personazheve dhe
përmes autorëve. Pakkush kujtohet për Cervantesin, por të gjithë
e njohin Don Kishotin. Pakkush kujtohet për Hashekun, por të
gjithë e njohin Shvejkun. E kundërta ndodh me një letërsi tjetër, e
cila identifikohet me emrat e shkrimtarëve. Kështu, flitet për
Danten, për Shekspirin, për Dostojevskin, për Ibsenin, për
Heminguejin, duke u kujtuar rrallë, bie fjala, për “plakun e detit“.
Letërsia shqipe e kohërave moderne shumë shpejt do të ndodhet
para një pyetjeje të rrezikshme: cilët janë heronjtë e saj, njerëzit
e saj, modelet e saj. Përpara kësaj pyetjeje letërsia shqipe do të
gjendet në kushte shumë të vështira. Atëherë duhet të ruajmë
atë mundësi që kemi për identifikimin e letërsisë shqipe, si letërsi
e lidhur me emrat e personaliteteve të saj.

Pyetje: Vërejmë se diskutimi për “Dosjen K” rregullisht
hapet sa herë që ka nisma politike për të ndryshuar ligjet
për dosjet e sigurimit të shtetit. Ju çfarë mendoni për
këtë?

Përgjigje: Jam njohur me nismën më të fundme të një grupi
deputetësh për hartimin e një ligji të ri për verifikimin e pastërtisë
së figurës së njerëzve të zgjedhur. Po ashtu kam studiuar edhe
projekt-ligjin. Si drejtues i arkivave të Shqipërisë mund të them
se jam indiferent ndaj kësaj niste, sepse në pasurinë
dokumentare që administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e
Arkivave nuk ka qoftë dhe një dosje të ish-sigurimit të shtetit, nuk
ka asnjë dosje hetimore apo gjyqësore. Këto dokumente ruhen në
arkivat e sistemit, që varen drejtpërsëdrejti nga ministritë. Si
qytetar jam i shqetësuar për abuzimet që kanë bërë me detyrën
përfaqësues të dy komisioneve të mëparshme, të cilët kanë
pasur për detyrë të verifikojnë të dhënat për pretendentët për t’u
zgjedhur, t’ua raportojnë ato institucioneve gjegjës dhe të
heshtin. Në fakt ata kanë bërë të kundërtën, duke mbushur
Shqipërinë me pseudonime dhe duke u bërë organizëm dhune
mbi vetë politikën aktive. Kjo është çështje e pjekurisë qytetare
të njerëzve të zgjedhur, që detyra u jep të drejta më shumë se të
tjerëve, por kur detyra del në publik kjo bën efektin e kundërt.

Pyetje: Nuk mendoni se ka një analogji edhe “Dosja K” me
këto raste?
Përgjigje: “Dosja K” nuk është një dosje, por një titull libri, të
cilin, për hir të së vërtetës, e quajti kështu për herë të parë
gazeta “Shekulli”. “Dosja K” mund të quhej edhe “Kadareja dhe
kritika e fshehtë”, dhe një pjesë e mirë e kundërshtuesve, e atyre
që kanë frikë thjesht nga termi “dosje”, mbase do të kishin
heshtur. “Dosjen K” nuk e ka bërë ish-sigurimi i shtetit, por
administrata e lartë partiake dhe institucionet e saj. Në një
kuptim, “Dosja K” është një dëshmi e luftës së ftohtë në Shqipëri
në plan të brendshëm. Prandaj çdo ngjashmëri është e paqenë.

Pyetje: Eshtë thënë se “ka një përputhje interesash”
ndërmjet jush dhe Kadaresë që e nxit hartimin e këtij
libri...

Përgjigje: Në këtë vend, ku ka më shumë njerëz që mendojnë
për të konkurruar duke i shkatërruar punën tjetrit se sa të tillë që
duan të fitojnë duke krijuar, nuk është çudi, për shembull, të
propozohet ndonjë projekt-ligj për të verifikuar “konfliktin e
interesave me I. Kadarenë”! Meqë të gjitha konfliktet e tjera “të
interesave në detyrë” autoritetet publike dhe zëdhënësit e tyre
në “shoqërinë civile” i kanë shmangur, po e them! Sa u takon
“përfitimeve” të mia prej këtij libri, më duhet të pohoj, pa
dyshim, se ka qenë njëri prej dy privilegjeve të mia intelektuale
gjatë kohës që ja në detyrën e drejtorit të arkivave. Ndoshta duke
qenë subjekt që hyn së jashtmi në marrëdhënie me arkivin nuk
do të kisha pasur mundësi të identifikoja dhe të përzgjidhja kaq
shpejt materialin. Veç kësaj është fakt se më kanë ndihmuar
specialistë të mirinformuar të pasurisë arkivistike, si K. Nako, por
edhe ndonjë tjetër, thjesht kërkues, si D. Kaloçi, të cilët do të doja
t’i falënderoja. Por privilegji im kryesor shkencor në detyrën që
kryej ka qenë hartimi i monografisë “Beratinus”, kushtuar
traditës së shkrimeve biblike-ungjillore në botën shqiptare prej
krishtërimit të hershëm deri në kohërat moderne. Me këtë libër
pretendoj të sjell një ndryshim thelbësor në kornizën dhe
kalendarin e historisë së kulturës që është zhvilluar e trashëguar
në Shqipëri. Ky është një studim i karakterit të antropologjisë
kulturore, që traditës së kërkimeve shqiptare, me ndonjë
përjashtim të rrallë, i ka munguar. Libri “Dosja K” nuk ka ndonjë
pretendim të tillë. Ky libër është më shumë një shërbim, një
përgjegjësi, për kulturën kombëtare, se një monografi me
përmbajtje të thellë. Për hartimin e këtij libri i jam përmbajtur
porosisë biblike se është i njëjti faj t’u krijosh të tjerëve një të
vërtetë të rreme, po aq sa dhe të heshtësh para tyre për të
vërteta të njohura, që ata nuk kanë mundësi tjetër t’i mësojnë. A
mund të ndihmojë ky libër edhe për një lexim më të
vëmendshëm dhe më me respekt të veprës së Kadaresë? Mendoj
se po. Por sigurisht ata që nuk e duan lartësimin e vlerave të
letërsisë së Kadaresë, që do të thotë dhe lartësim i vlerave të
letërsisë shqipe, nga ky libër nuk do të mbeten të kënaqur dhe
nuk do të ndryshojnë mendim. Kjo nuk më shqetëson aspak. Unë
kam tashmë mbi tri dekada që shkruaj dhe nuk bën pjesë në
parimet e mia marrja me të mirë e lexuesit. Në akadamik ka ma
kërkuar edhe me shkrim një gjë të tillë disa vjet më parë, në një
rast të ngjashëm! Mua më përket të bëj gati veprën dhe lexuesit i
mbetet e drejta të vendosë midis parapëlqimit dhe refuzimit
estetik.

Pyetje: Ju jeni shprehur se botimi i këtij libri do të ndikojë
për shëndoshjen e klimës në botën e letrave.
Kundërshtarët e librit tuaj thonë se nuk mund të pritet
“katarsis” nga ky libër. Si do të përgjigjeshit ju?

Përgjigje: Asnjëherë nuk kam përmendur temrin “katarsis”. Nuk
jemi në shekullin e tragjedisë. “Katarsis-i” është term i estetikës
klasike greke dhe do të thotë të edukohesh duke u tmerruar. Ky
është thelbi i tragjedisë, ku kënaqësia e shfaqjes shkrihet me
frikën dhe tmerrin e përmbajtjes. Për “katarsis” flasin ata që duan
ta bëjnë një iniciativë të pamundur. Libri “Dosja K” nuk mund ta
mbajë këtë kryq. Mund të them se në shoqërinë e sotme
shqiptare nuk ka faktorë të tillë që mund të përballojnë një
“katarsis”, qoftë dhe në kuptimin figurativ të fjalës. “Dosja K”, më
shumë se frikën, provokon neveritjen dhe refuzimin. Këto ndjenja
ndikojnë për t’i vënë kufij së kaluarës. Po ashtu ato ndikojnë që
shkrimtarët e sotëm të jenë më dashamirës me njëri-tjetrin.
Thelbi i këtij libri është të ndikojë që të hartohet një histori e
vërtetë e letërsisë së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Sot
ka një frikë për t’iu afruar kësaj periudhe. Jo vetëm kërkuesit e
lirë, por edhe institucionet e specializuara, janë të prirura që ta
ndalin studimin e historisë së letërsisë deri në vitin 1944. Por kjo
është shkatërrimtare për një histori letërsie, sidomos për tekstet
shkollore. Kjo është frika që do të nxjerrë ky libër. Për këtë arsye
kam folur për shëndoshjen e klimës në botën e letrave. Kur një
proces certifikohet, sado totalitare të jetë përgjegjësia, pas
reflektimit vjen një prehje. Historia e letërsisë shqipe nuk do të
zërë vend nëse nuk zbulohen edhe të fshehtat e gjykimit të saj.
Brezat e rinj që kanë hyrë në rrugën e krijimtarisë nuk mund ta
kuptojnë luksin e lirisë së tyre pa njohur dhimbjet e së shkuarës.

Pyetje: A nuk është kjo iniciativë në kundërshtim me
parimin që ju vetë keni formuluar, për t’i hapur arkivat në
aspektin promovues?

Përgjigje: Në dukje është kështu si thoni ju. Fjala “arkiv” dhe
fjala “arkivol” kanë një rrënjë të përbashkët: “arheios”, që në
greqisht do të thotë “i vjetër”. Në arkiva ruhet kujtesa e së
shkuarës, në arkivole përcillen për në botën tjetër ata që e kanë
harxhuar këtë jetë. Por ngjashmëria nuk është vetëm në formë.
Të hapësh pa parime të shëndosha një arkiv është njësoj si të
shpërthesh pa mend në kokë një arkivol. Mund të dalin pastaj
xhevahire dhe zbulime të mëdha, si në piramidat e Egjiptit, por
mund të dalin gjithashtu fantazma të frikshme që do të tmerronin
botën. Për këtë arsye hapja e arkivave duhet të jetë e prirur drejt
vlerave që promovojnë identitetin kulturor të popullit, gjë që më
duket se e kemi bërë më së miri. Por a duhet të kthehet në tabu
gjithçka që ka të bëjë me dobësitë, psikozat, komplekset e
individëve, apo dhe të vetë bashkësisë? Kjo do të ishte
spekulative. Veç kësaj, në thelb, edhe kjo iniciativë e përmban
qëllimin promovues, sepse lejon të kuptohen më realisht vlerat e
veprës së I. Kadaresë. Pa burimet arkivore nuk do të mund të
çmoheshin si e meritojnë sfidat letrare të këtij shkrimtari, ndikimi
i letërsisë së tij në lëvizjet e mendimit shqiptar. Do të ishte diçka
thelbësisht kundër parimit të promovimit nëse, për shembull, një
iniciativë jona do të synonte të zbulonte të fshehta të tilla që
mund të ndikonin në raportet e brendshme të politikës aktuale.

1. Intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, datë 24.10.2004.

“TI, ARMIK, NA THUAJ Ç’MENDIM KE PËR KËTË VEPËR TË KADARESË”1

Pyetje: Në një intervistë për “Panoramën” I. Kadare e ka
cilësuar “të trishtë” përmbajtjen e dokumenteve të
“Dosjes K”. Cilët janë disa elementë “të trishtë” të kësaj
dosjeje?
Përgjigje: Për mendimin tim gjëja më e trishtueshme nuk është
tek përmbajtja e vetë dokumenteve, të cilat bëjnë të njohur një
gjë që ka ndodhur dikur, sesa tek rishfaqja sot e të njëjtave
mendësi të atyre kohërave. Sapo u botuan disa prej këtyre
dokumenteve u riprodhua në shtyp e njëjta fushatë si ajo e fillimit
të viteve 1970 kundër “Dimrit të vetmisë së madhe”. Merrni dhe
krahasoni shkrimet e botuar në atë kohë me qendrimet e sotme
të jo pak shkrimtarëve dhe do të vëreni me keqardhje se
ndryshimi është shumë i vogël. Kalimi prej shoqërisë së
kontrolluar në shoqërinë e hapur duket se e ka prekur fare pak
mendësinë: thjesht gjërat që në atë kohë pëshpëriteshin tani
shkruhen në tribunat e mendimit. Natyrisht, vetë dokumentet
bartin kumte të trishta, të cilat, brenda kohës së tyre, kanë një
shpjegim, kurse mendësitë e sotme nuk kanë shpjegim. Nga këto
mendësi kuptohet se ka mjaft krijues të cilët kanë probleme me
veten. Këto probleme ata përpiqen t’i transferojnë tek tjetri. Ishte
pikërisht “Panorama” ajo që botoi dëshminë për mbrojtjen apo
më saktë shpëtimin e jetës së një shkrimtari të ri nga I. Kadare, i
cili, përmes një akti zyrtar, në mesin e viteve 1980, i pohoi
hetuesit, juristit F. Doja, se në vjershat e të pandehurit nuk kishte
asgjë kundër shtetit. Unë u çudita kur, pas botimit të këtij
dokumenti, përmes postës elektronike, një shkrimtar më bënte
thirrje “të jem i kujdesshëm” sepse, “ja ku doli e vërteta, edhe
Kadare ka bashkëpunuar”. A nuk është kjo më se cinike?! Dhe a
nuk është pikërisht kjo rishfaqje e mendësisë së njollosjes së
tjetrit më e trishtë se vetë përmbajtja e dokumenteve? Unë
provova me qetësi që t’i mbush mendjen këtij shkrimtari se nuk
është njësoj si të bashkëpunosh me një institucion të shtetit për
të shpëtuar jetën e një njeriu, si të shkruash kundër një krijuesi
për të gjetur në veprën e tij shkase për ndalim. Por përgjigjja që
më erdhi ishte njësoj kokëfortë: “Sidoqoftë, bashkëpunim është
edhe ky!”.

Pyetje: Në të njëjtën intervistë Kadare e ka quajtur
botimin e këtyre dokumenteve kontribut për ndriçimin e
psikikës shqiptare...

Përgjigje: Ky është një pretendim i madh për librin tim. Por në
një masë modeste do të ketë edhe një kontribut të tillë. Unë
përmenda ekzistencën e një vullneti cinik për të ndërtuar ngritjen
e vetes duke njollosur tjetrin, sidomos atë që shfaqet si i
paarritshëm. Ajo që kam mundur të vërej unë prej dokumenteve
është se, sa më të talentuar të kenë qenë njerëzit, aq më të
virtytshëm janë treguar edhe në qendrimin ndaj veprës së I.
Kadaresë, kur zyra apo institucione partiake apo të shtetit i kanë
ftuar të japin mendim. E kam përmendur edhe herë tjetër që
shkrimtari më pak qortues ndaj Kadaresë, edhe në çastet më të
vështira, është D. Agolli. Në një letër drejtuar udhëheqjes së
partisë së punës për poezinë e ndaluar “Në mesditë Byroja
Politike u mblodh” D. Agolli shpreh shqetësimin se në këtë
vjershë ka zymtësi, ka një tronditje, ka pesimizëm, që lidhet me
dështimin e grupit të “puçistëve”ushtarakë, por, siç shkruan ai,
“e keqja është se për këto çështje partia ende nuk ka folur
publikisht”. Kjo “vërejtje” e D. Agollit në fakt ishte një mbrojtje
mjaft e kujdesshme për shkrimtarin koleg, sepse e çlironte atë
nga akuza për krijime kundërrevolucionare, antiparti,
antikomuniste etj., duke e reduktuar çështjen thjesht në faktin se
poezia ishte e parakohshme. Zelli për të nxirë besoj se ka lidhje
me psikikën kombëtare. Fakti që ky zell nuk u shua as në kushtet
e shoqërisë së mendimit të lirë tregon se nuk është çështje
regjimi apo ideologjie. Disa ditë më parë kam mbetur i tronditur
kur një grup gazetarësh të huaj, të një prej emetuesve më të
mëdhenj në botë, sapo u paraqit në zyrën time, në praninë e një
numri të madh njerëzish, më drejtoi pyetjen: “Si mund të na
ndihmonit për të kuptuar se deri në ç’masë i ka kthyer në letërsi
shkrimtari I. Kadare kujtimet e E. Hoxhës - sepse ne e dimë se
Hoxha kujtimet i ka diktuar e regjistruar në magnetofon dhe
pastaj të tjerët janë marrë me to për t’i bërë libra!” Kjo pyetje nuk
kishte ardhur nga metropolet, ishte një pyetje e inkurajuar prej
mjedisit vendës. U deshën tri-katër orë punë krahasuese midis
varianteve të regjistruar në shirita dhe varianteve të shtypura që
grupi i gazetarëve të huaj të kuptonte se “këshilla” e miqve
vendës, këshillë që lidhet vërtet me veçori të psikikës shqiptare,
kishte qenë më tepër se fyese, kishte qenë djallëzore.

Pyetje: Ku shfaqet totaliteti i mbikëqyrjes së krijimtarisë
së Kadaresë në dokumentet që ju keni përzgjedhur?

Përgjigje: Mendoj se një prej vlerave të këtij libri do të jetë
pikërisht certifikimi i këtij procesi, të mbikëqyrjes nga të gjitha
anët, të krijimtarisë së Kadaresë. Në çdo hap të këshillimit të
dokumenteve të kujtohet slogani i atyre kohëve: “të mendojmë,
të punojmë dhe të jetojmë si në rrethim si revolucionarë!” Hajne,
kur u kthye nga dëbimi jashtë Gjermanisë, shkroi një poezi, me të
cilën qesëndiste doganierët e shtetit të vet, të cilët kontrollonin
me imtësi bagazhet e tij. Pak a shumë Hajne thotë: “Kontrolloni,
tuafë, kontrolloni: kontrabanda që ju mendoni se do të gjeni në
bagazhet është në kokën time!”. Njohja me dokumentet që
përmban “Dosja K“ të formon përshtypjen se zyrat dhe nëpunësia
partiake e shtetërore, dhe bashkëpunëtorët e tyre, vullnetarë apo
të porositur, kanë tentuar të kontrollojnë edhe “kontrabandën”
në mendjen e shkrimtarit. Për këtë janë ftuar e anketuar jo vetëm
ata që kryenin detyra funksionale në shërbim të vijës së partisë
për letërsinë dhe artet, por edhe armiqtë, madje pikërisht ata që
ishin dënuar për krime kundër shtetit. Jam në gjurmë të një
dokumenti me vlerë të jashtëzakonshme, që shpresoj se autori i
tij do të ma ofrojë për botim në këtë libër. Autoritetet shtetërore i
kanë kërkuar mendim me shkrim një poeti të njohur, të dënuar
për agjitacion e propagandë, për disa fragmente të veprave të I.
Kadaresë. Pra, ky dokument i rrallë, i shprehur në mënyrë letrare,
është përgjigje ndaj një kërkese në të cilën autoriteti përkatës i
shtetit thotë: Ti, kriminel, armik i pushtetit dhe i diktaturës së
proletariatit; ti që je shitur me kohë tek ideologjia armiqësore
borgjeze dhe revizioniste, ti që vetë ke shkruar vjersha me
ndikime surrealiste, dhe për këtë arsye të kemi dënuar dhe po të
duam të dënojmë prapë, pa na thuaj, si e sheh armiku, si e
kuptoni ti dhe shokët e tu, bie fjala, thënien e shkrimtarit I.
Kadare: ‘Ne nuk e duam stafetën tuaj, po ta doni kaq shumë
mbajeni?’ A i pëlqen armikut kjo apo e kundërta?” Shkrimtari, që
vuante dënimin po për faje ideologjike, u përgjigj se “unë si armik
i diktaturës së proletariatit, i dënuar me kaq e aq vite heqje lirie,
mendoj se kjo frazë nuk i kënaq armiqtë e klasës“. Po le ta lemë
këtë përshkrim duke shpresuar se shumë shpejt do të kemi vetë
dokumentin në dorë. Ajo që mund të thuhet është se një mbulim
më totalitar se ky, ku ftohen për gjykim armiqtë e brendshëm
dhe ata të jashtëm, krahas njerëzve që e kishin pranuar si detyrë
të vigjilonin për pastërtinë e zbatimit të vijës së partisë në art,
nuk mund të ketë!2

Pyetje: Shumë njerëzve nuk do t’u interesonte publikimi i
këtyre dokumenteve. Përse?

Përgjigje: Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur disa herë. Ajo që mund
të shtoj është se shumë shkrimtarë kanë pritur që në shoqërinë e
lirë do t’u ndrisë ylli menjëherë, do të bëhen të famshëm fap-fap,
dhe Kadare, Agolli, Buda, Çabej e të tjerë do të harrohen sakaq.
Mirëpo bindja ime është se ligjërimi në gjuhën shqipe ka arritur
shkallën më të lartë dhe ka dhënë maksimumin në prozën e I.
Kadaresë. Për më tepër, vlerat e ligjërimit të Kadaresë morën një
shkëlqim të paimagjinueshëm pas viteve 1990. Pikërisht në këto
vite, kur “teoricienë” mendjeshkurtër i hynë aventurës për të
krijuar një shqipe tjetër paralele, shqipen e mbështetur në
gegërishten letrare, Kadare provoi se sa bujare është gjuha e
njësuar që kemi, si mund t’i kalojë kufijtë e deritashëm ligjërimi
shqip duke marrë prej gegërishtes jo vetëm leksik, por edhe
gjedhe fjalëformimi, figurshmëri gjuhësore e letrare, madje edhe
struktura sintaksore. Mendoj se kjo i bën jo vetëm të çinteresuar,
por kundërshtarë të vërtetë, mjaft krijues, leksiku i të cilëve nuk i
kalon tri mijë fjalët e fondit themelor të shqipes, me të cilat mund
të komunikohet, por jo të bëhet letërsi.
Kjo çështje ka edhe anën e vet juridike, e cila, duke mos qenë e
qartë, ngjall njëfarë paniku tek njerëzit që janë peng i së
shkuarës. Ligjvënësit shqiptarë nuk është e thënë ta dinë se ka
një dallim thelbësor midis së drejtës për njohje me të drejtën për
publikim. Por ligjvënësit shqiptarë prandaj i kanë institucionet, që
të marrin mendimin e tyre dhe të jenë të qartë me publikun. Në
fakt, ata asnjëherë nuk e kanë bërë të qartë se çfarë kërkojnë:
njohjen e së shkuarës apo kthimin e burimeve në armë të
goditjes publike. Së dyti, ligjvënësit shqiptarë asnjëherë nuk janë
shqiptuar saktë se rinjohja e së shkuarës nuk do të thotë
penalizim i protagonistëve të saj, të mëdhenj apo të vegjël
qofshin, por një hap vendimtar për t’u ndarë prej mbrapshtive të
saj. Në të kundërtën, duke kërkuar hapjen e arkivave shumë prej
tyre mendojnë pikërisht jo çlirimin nga e shkuara, por penalizimin
politik të njërit apo tjetrit grupim, pra, përdorimin e së shkuarës si
ndihmëse në rritjen politike. Edhe kjo, që do të thotë të
personalizosh përgjegjësitë e një sistemi që të gjithë e njohin me
emrin “totalitar“, ngjall frikë dhe shpesh panik. Vëreni sjelljen e
“komisioneve të pastërtisë“: këto komisione nuk u krijuan për t’u
bërë prokurorë të historisë dhe për të shpallur e sajuar
“mëkatarë“ majtas e djathtas. Këto komisione u krijuan të
mbrojnë politikën e sotme prej ndikimit të fshehtë të së shkuarës.
Në fakt, bënë të kundërtën. Hapja ka vlerë kur bëhet për të ditur
të vërtetën, jo për ta përdorur këtë të vërtetë të së shkuarës si
armë lufte.

1. Intervistë dhënë gazetës “Panorama”, datë 7 dhe 8 nëntor 2004.
2. Shih: V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001, f. 69-70 (fragmenti
botohet i plotë në këtë libër).

DËNIMI I NJË VEPRE, SIKURSE DËNIMI I NJË NJERIU,
1
MUND TË JETË I PËRJETSHËM OSE I PËRKOHSHËM

Pyetje: Pa dashur të zbulojmë gjithçka nga libri juaj
“Dosja K”, a mund të na thoni shkurtimisht se ç’gjë të re
do të sjellë ai për lexuesin, të ndryshme nga sa dihet se
është shkruar deri tani për Kadarenë?

Përgjigje: Fillimisht dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia
“Gazetës shqiptare“, e cila ishte e para që i shkoi ndërmend se e
vërteta për gjërat e diskutueshme nuk mund të gjendet pa iu
drejtuar burimeve, dhe kështu, me kërkesën që më drejtoi ish-
kryeredaktori i saj z. Arian Çani për origjinalin e poezisë
“Pashallarët e kuq“ dhe më pas me zbulimin dhe botimin e saj,
më bëri të jem më i vëmendshëm ndaj një kategorie
dokumentesh, për të cilat nuk kisha marrë ende informacion të
mjaftueshëm.
“Dosja K“?! Nuk besoj se kam të drejtë ta quaj kështu librin tim.
Një titull i tillë do të nënkuptonte zbulimin e gjithë lëndës
dokumentare që është krijuar gjatë afro një gjysmë shekulli për
letërsinë e I. Kadaresë. Ndësa unë kam bërë kërkime vetëm në
Arkivin Qendror Shtetëror. Edhe këto kërkime nuk janë
përfundimtare. Ju vetë, duke punuar me dokumente arkivore,
keni gjetur një letër të një qytetari shqiptar drejtuar E. Hoxhës
për ndalimin e romanit “Kronikë në gur“, në vitin 1974, letër e
cila nuk është në librin tim. Për të merituar titullin “Dosja K“ do të
duhej një kërkim i kujdesshëm në arkivin e ministrisë së rendit
publik, në arkivin e shërbimit informativ shtetëror, dhe, po të
kishte qenë e mundur, edhe në arkivat e shtëpive botuese dhe të
redaksive të gazetave letrare, gjë që unë nuk kam pasur mundësi
ta bëj. Pra, libri im është, e shumta, një “Dosje K“. Kërkimi
mbetet i hapur për studiues të tjerë të vullnetshëm. Në fazën e
fundme të përgatitjes së librit tim kam vërejtur se çdonjëra prej
korrespondencave zyrtare që ai përmban mund të shërbejë si
pikënisje për një dossier më vete. Mendoni se vetëm për lejimin
ose jo të xhirimeve të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ në
Shqipëri kanë komunikuar shkresërisht ish-kryeministri,
zëvendësi i tij, dy anëtarë të byrosë politike, nëpunës dhe
këshilltarë të tyre. Nga dokumentet burimore del se autoritetet e
shtetit shqiptar fillimisht e kanë pranuar kërkesën që një pjesë e
xhirimeve, sidomos ato me karakter etnografik, të zhvillohen në
Shqipëri, megjithëse vendi atëherë përjetonte një vetëveçim të
thellë. Mirëpo korrespondenca nuk zbulon pse ky vendim më pas
u ndalua. Çfarë ndodhi që Piccoli-së e Mastroianni-it iu refuzua
leja? Këtë dikush mund ta zbulojë.
Libri që unë kam përgatitur është me karakter studimor e
dokumentar. Çështja themelore e librit është raporti i shkrimtarit
me pushtetet e fshehtë, duke përfshirë shkencën e fshehtë,
kritikën e fshehtë. Në këtë raport del se deri në ç’pikë ishte
shkrimtari pranë “krimit kundër shtetit“, që nënkuptonte krimin e
fjalës. Në terminologjinë e sotme përdoret shprehja “heat
speech“, që identifikon nxitjen e armiqësisë me anë të fjalës. Dhe
ky është një term i shoqërisë së hapur. Ju mund ta merrni me
mend se çfarë do t’i përgjigjej kësaj shprehjeje në kushtet e
shoqërisë së mbyllur. Më saktë kjo do të thotë t’i japësh përgjigje
pyetjes se deri në ç’pikë i ishte afruar rreziku shkrimtarit.
Përfytyroni se ç’punë vetëflijuese është të shkruash dhe të
krijosh, dhe pastaj shtojini këse ç’mundim a vuajtje është të
shkruash nën vigjilencë, me vetëdije se “syrit të Shivës” nuk i
shpëton ngado që të shkosh. Kjo është ana njohëse, që i duhet
veçmas brezit të ri, i cili rron në një liri të paskajuar, dhe, ç’është
e drejta, nuk e vret mendjen shumë se ç’ka qenë e shkuara. Ana
tjetër është me karakter etik. Të gjitha punët e fshehta kanë
diçka etike për të ndriçuar. Ajo që mendoj se mund të sjellë të re
ky libër në këtë anë është të bëjë ndarjen me një sjellje të vjetër,
të tregojë se si mund të përdoret fuqia e mendimit për të arritur
qëllime promovuese, jo për të fituar në karrierë apo në
konkurrencë duke shpërndarë njolla e zi. Mendoj se ekziston një
ndryshim i madh midis zellit për të lënduar e shkatërruar dhe
zellit për të shëndoshur.

Pyetje: Nga burimet arkivore dhe dokumentet e tjera që
keni këshilluar për të shkruar këtë libër a rezulton të ketë
pasur qendrim të drejtpërdrejtë të E. Hoxhës apo
udhëheqësve të tjerë të lartë të asaj kohe ndaj veprës së
Kadaresë? Në rast se po, mund të na thoni cili ka qenë
qendrimi i tyre?

Përgjigje: Po, nga dokumentet që kam pasur në përdorim del se
me vlerësimin e veprës së I. Kadaresë janë marrë pothuajse të
gjithë udhëheqësit e periudhës ish-komuniste, që nga E. Hoxha
dhe ish-drejtorja e institutit të studimeve marksiste-leniniste N.
Hoxha deri tek M. Shehu, H. Kapo, M. Myftiu, R. Alia, L. Belishova,
F. Çami, P. Kondi dhe të tjerë: anëtarë të komitetit qendror të
PPSH, sekretarë të komiteteve të partisë në rrethe, funksionarë të
lartë të aparatit të komitetit qendror për edukimin, shtypin,
letërsinë dhe kulturën. Por nuk janë marrë vetëm këta. Shpesh
herë ka ndodhur që problemet kanë ndjekur rrugën “nga poshtë -
lart”. Kjo do të thotë se ka pasur shumë “shpirt iniciative” për të
mbikëqyrur shkeljet dhe devijimet e mundshme të shkrimtarit,
me qëllim që “të mbrohej vija”.
Ju pyetët drejtpërdrejt se cili ka qenë qendrimi i E. Hoxhës ndaj
veprës së I. Kadaresë. Sido që në dokumentet që kam pasur në
dorë nuk del ndonjë gjë e shkruar, dihet se në mesin e viteve
1970 E. Hoxha është shprehur në mbrojtje të romanit “Dimri i
vetmisë së madhe”, duke i garantuar militantët se “shkrimtari do
t’i ndreqë gabimet”. Në disa raste dokumentet mbajnë shënimin
“e pa dhe shoku Enver”, por nuk bëhet e qartë se cili ka qenë
qendrimi i tij. I vetmi rast që njoh unë kur E. Hoxha shprehet
drejtpërsëdrejti për një vepër të I. Kadaresë është një diskutim në
një takim ditor me sekretarët e komitetit qendror të PPSH në vitin
1977, në të cilin çmohet kultura e Kadaresë, argumentimi prej tij i
karakterit vendës të eposit shqiptar të kreshnikëve, në një artikull
botuar në dy numra të gazetës “Drita”. Mua më ka bërë
përshtypje se “reaksioni perëndimor”, siç thuhej në atë kohë,
përmes një letërkëmbimi që zhvillohej në vitin 1974 midis një
“Artan Iliri” dhe Xhelal Staraveckës, dhe që i drejtohej paralelisht
“për dijeni” E. Hoxhës, Kadarenë e qortonte e ironizonte për
nënçmim të letërsisë veriore, për mosvëmendje ndaj motiveve të
këngëve të kreshnikëve. Vetëm tri vjet vjet më vonë, kur Kadare
shfaqi vlerësimin e tij për motivet tradicionale të traditës
etnokulturore veriore, vlerësim që do të vinte duke u dendësuar
më vonë, E. Hoxha e përgëzon, madje duke bërë krahasime
interesante me epopetë heroike të popujve të Perëndimit, që e
plotësoi këtë detyrë! Sido qoftë, kjo nuk është një vepër qendrore
e I. Kadaresë.
Do të doja të shtoja se udhëheqja e lartë e PPSH, në raste të
veprave “më të rrezikshme” të Kadaresë, që nuk kanë të pakëta
(“Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, “Dimri i madh”,
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Gjakftohtësia”), ka mobilizuar,
në kuptimin e plotë të fjalës, institucione, struktura, organizma e
individë që i kishte në varësi ose në afërsi për të arritur në
përfundime ideologjikisht të sakta.

Pyetje: Në një intervistë të para disa vjetëve I. Kadare
është shprehur se ai është sulmuar indirekt edhe nga
Arshi Pipa, i cili aso kohe jetonte në SHBA. A ka pasur
sulme apo kritika të tjera të kësaj natyre nga përfaqësues
të tjerë të mërgatës politike shqiptare në Perëndim?

Përgjigje: Mendoj se shprehja e Kadaresë “për sulme indirekte”
nga Arshi Pipa është një eufemizëm. Në fakt, në studimin e tij
monografik “Kadare - subversion ndaj konformizmit“ (Telos,
1987), tashmë të botuar edhe në shqip, Kadare cilësohet si një
shkrimtar që është tallur me komunizmin, dhe nuk është fjala për
vepra që i kishte cilësuar të tilla kritika vendëse, por edhe për
romanin “Kronikë në gur”. Madje në këtë studim del se një prej
veprave më diversioniste të I. Kadaresë është “Dasma”, vepër
që, sipas autorit të studimit, është një përqeshje me lëvizjet
revolucionare dhe aksionet komuniste! Pipa zbulon në veprën e
Kadaresë psikanalizën frojdiste, deheroizmin, neverinë ndaj
realizmit socialist. Libri i Arshi Pipës në atë kohë në Shqipëri ishte
një libër i ndaluar për popullin, por jo edhe për udhëheqjen. Vetë
Arshi Pipa këtë gjë e dinte mirë, në mos për tjetër, për faktin e
thjeshtë se librat e tij ai rregullisht ua dërgonte udhëheqësve
komunistë (duke përfshirë edhe studimin “Politika gjuhësore
komuniste në Shqipëri”), me kushtime vetjake, të shumtën e
herës ironike ose kritike. Nuk e di sa e njihte realitetin në vend A.
Pipa, por efekti i studimeve të tij, në dukje për ta nderuar
Kadarenë, duke e ndarë nga realizmi socialist, ishte denoncimi
përballë udhëheqjes dhe nëpunësisë vigjilente, që “ky njeri kishte
dalë me kohë nga binarët, nga disiplina, dhe po rrëshqiste drejt
dekadencës perëndimore, në subversion të përhershëm ndaj
konformizmit”.
Në fakt, prej mërgatës politike shqiptare në Perëndim, nuk ka
qenë vetëm Arshi Pipa që ka shkruar në mënyrë të atillë që
pozita e shkrimtarit I. Kadare të shkojë duke u ndërlikuar. Unë
sapo përmenda rastin e letërkëmbimit të Xh. Staraveckës me
“Artan Ilirin”. Lind një pyetje shumë e thjeshtë: Pse për këtë
letërkëmbim duhej të merrte dijeni E. Hoxha?! Për të gjykuar
palët në debat?! Do të ishte absurde të mendohej! Mbetet vetëm
një arsye: për të gjykuar Kadarenë, për të qenë i informuar për
mangësitë e veprës së tij. Pikërisht ky fakt përbën një prej çudive
të rralla, gati-gati të pashpjegueshme, të kontrollit të
gjithanshëm të letërsisë në periudhën ideokratike. Si të thuash,
kishte vullnetarë për të zbuluar shkarje nga ideologjia dhe
partishmëria edhe në radhët e atyre që nuk u interesonte aspak
ideologjia dhe partishmëria, përkundrazi, do të kishin dashur t’i
shembnin ato sa më parë. Por kjo nuk i pengon të zbulojnë e të
njoftojnë E. Hoxhën dhe udhëheqës të tjerë të PPSH për
“prapësitë” e shkrimtarit më të rëndësishëm shqiptar, me njohje
të brendshme e ndërkombëtare. Madje ndoshta pikërisht ky fakt
e nxiste agresivitetin e një pjese të përfaqësuesve të mërgatës
ndaj tij: pranimi në letërsinë botërore, me gjithë “realizimin e tij
socialist”, që “nuk ishte realizëm socialist”!

Pyetje: Nisur nga fakti se në krijimtarinë e tij I. Kadare
është marrë me ngjarje historike, të para dhe të pas
Luftës së Dytë Botërore, a ka pasur reagime nga kolegë
dhe studiues të Lindjes lidhur me të vërtetat historike që
ai ka trajtuar?

Përgjigje: Sipas mendimit tim, në veprën e I. Kadaresë, qoftë e
kaluara historike (relative), qoftë e kaluara legjendare (absolute);
historia në përgjithësi, kanë qenë gjithnjë një pretekst.
Terminologjikisht asnjë roman i Kadaresë, duke përfshirë
“Kështjellën”, pa folur për “Pashallëqet e mëdha”, ”Nëpunësin e
pallatit të ëndrrave”, “Sjellësi i fatkeqësisë”, nuk mund të quhet
“roman historik”. Mirëpo shpesh është bërë gabimi që të
kërkohet ngjarja historike pas këtyre veprave apo ndonjë tjetre,
qoftë dhe me qëllim të mirë. Për shembull, është insistuar se
Pallati i Endrrave ka qenë një institucion historik i ish-perandorisë
osmane, kur lexuesit modestë shqiptarë e dinin mirë se Pallati i
Endrrave ishte krijuar nga shkrimtari për të identifikuar fshehtas
komitetin qendror të PPSH. Studiues të huaj kanë gjetur tek
romani “Piramida” një aluzion për bunkerët, kur aluzioni ishte më
i drejtpërdrejtë: “Piramida” në mes të kryeqytetit, me kultin e saj
të shpërfaqur! Pra, është kërkuar histori atje ku nuk mund të
kishte histori, por vetëm pretekste për të shprehur kumte për
kohën që jetohej. Nga kërkimi i tepërt i historisë, edhe atje ku
nuk mund të jetë, ka ndodhur që dhe studiues të formuar
profesionalisht kanë bërë gabime në gjykimin e veprës së I.
Kadaresë, duke filluar prej të ndjerit L. Dilo, i cili, duke qenë i
pakënaqur me poemën “Princesha Argjiro”, i kërkonte
udhëheqjes politike të Shqipërisë në vitin 1958 që “kjo vepër të
ndalohet dhe të rishkruhet”, duke marrë si bazë “historinë e
Zenevisëve” (domethënë të Zenebishtëve, mbiemër i një
familjeje patronimike mesjetare në Shqipërinë e poshtme). Edhe
romani “Dimri i vetmisë së madhe” nuk u përgjigjet kërkesave të
një romani historik. Sikurse dihet, letërsia me subjekt të mirëfilltë
historik është më afër “realitetit të parë”. Letërsia ku ngjarja
historike është thjesht një pretekst ndjek një kalendar tjetër. Në
një letërsi të tillë shkrimtari mund të ndryshojë radhën kohore të
zhvillimeve, emrat e protagonistëve, sepse vepra e tij është “një
realitet i dytë”. Këtij keqkuptimi nuk i kanë shpëtuar jo vetëm
disa nga studiuesit vendës të letërsisë, por edhe një historiane e
mirënjohur e shkollës ruse të albanologjisë, Dr. Nina Smirnova, e
cila, në parathënien e botimit rusisht të romanit “Dimri i madh”
kritikon shkrimtarin që nuk ka respektuar kronologjinë e
ngjarjeve, madje e ka ngatërruar qëllimisht atë, sikurse ka bërë
edhe me emrat e komandantëve të bazës ushtarake-detare të
Vlorës, të cilët “kanë pasur emra të tjerë”, dhe “nuk kanë qenë
gjeneralë, por admiralë”. Sipas mendimit tim, këto gjëra
shkrimtarin nuk e kanë interesuar shumë. Kaq i parëndësishëm
është në veprat e Kadaresë historicizmi teknokratik, sa në ndonjë
prej tyre mund të gjesh edhe “dremitje homerike“, siç ndodh tek
“Kush e solli Doruntinën“, ku një personazh thotë se në Europë
“po zhvillohet lufta njëqindvjeçare“.
Kadare e shkroi romanin “Dimri i madh“ për të treguar se edhe
një shtet i vogël mund të përballej me një supershtet. Por më i
rëndësishëm edhe në këtë roman është preteksti: kritikat ndaj
revizionizmit sovjetik në thelb ishin kritikë ndaj një forme të
komunizmit, për të mos thënë ndaj formës zotëruese të
komunizmit në botë. Një gjë të tillë studiuesit shqiptarë,
nëpunësit partiakë që ishin të ngarkuar për zbatimin e vijës, e
kuptuan shumë mirë kur Kadare dorëzoi për botim romanin
“Koncert në fund të dimrit“ (që ishte vijim i të parit), për të cilin
nuk ngurruan të shprehen se “ishte një aluzion për deformimet e
rënda të shkaktuara prej komunizmit në përgjithësi“, duke
përfshirë edhe sistemin politik në Shqipëri, jo për “revizionizmin
kinez“.
Me këtë nuk dua të nënçmoj aspak logjikën historike që
përmbajnë vepra të tilla të Kadaresë. Unë jam habitur, për
shembull, kur kam gjetur në shtypin shqiptar të viteve të para të
Pavarësisë debate të pafundme nëse princi Wied duhej të bëhej
synet apo jo. Për një kohë të gjatë kisha menduar se ky debat që
përmban “Viti i mbrapshtë“ është thjesht një grotesk imagjinativ i
autorit. Por intuita, logjika historike apo edhe njohja e
drejtpërdrejtë e historisë, e çonin autorin deri në dekore të tilla
aspak të trilluar.

Pyetje: Eshtë folur për një dualizëm midis Kadaresë dhe
Agollit për vendin e kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve. A
rezulton kjo në logjikën e dokumenteve që ju keni në
duar?1

Përgjigje: Nuk ekziston asnjë dokument që të tregojë rivalitet
midis Kadaresë dhe Agollit për kryesimin e Lidhjes së
Shkrimtarëve. Ky është një problem i paqenë. Nuk ekziston as në
formë të nënkuptuar. Eshtë folur për një rivalitet të heshtur midis
tyre për autoritetin krijues. Mendoj se edhe ky ka qenë një
diskutim pabuks. Kadare dhe Agolli kanë individualitete të
ndryshme krijuese. Kjo i bën vetvetiu të jenë jashtë rivalitetit,
sepse ndjekin rrugë krejt të ndryshme në krijimtari. Kadare e
kërkoi “Shqipërinë tjetër“, ideale, në formën e kthimit në të
shkuarën aristokratike arbërore, në formën e nostalgjisë për
fytyrën e dikurshme europiane të kulturës së vendit, mbushur me
emblema, kontë, princër. Agolli e kërkoi “Shqipërinë tjetër“ në
formën naimiane, në formën e utopisë, të Shqipërisë së
ëndërruar. Kadare shkroi poezinë me gjedhe qytetare-migjeniane,
kurse Agolli ndoqi traditën e “shpirtit të gjyshërve“. Prandaj
mendoj se një debat i tillë ka qenë nxitur më shumë nga varfëria
shpirtërore e njerëzve. Ka të tillë që kujtojnë se në letërsi është si
në politikë, që ka vend vetëm për një të parë dhe çdokush tjetër
mbetet i dytë. Mjerë letërsia franceze apo ajo gjermane, britanike
apo italiane, ruse apo hispanike, ç’do të pësonin po të mendohej
kështu! Në ka një vështrim shkatërrues për një letërsi është
pikërisht ky: caktimi i një të pari dhe mosvlerësimi i
individualitetit të krijuesve si fati i një letërsie për të qenë e plotë
dhe e shëndetshme. Po të vëreni me vëmendje ç’po ndodh me
rivlerësimin e letërsisë së periudhës mbretërore, do të konstatoni
të njëjtën lëngatë. Njerëz mendjengushtë arsyetojnë se për t’i
bërë vendin e merituar Fishtës në letërsi duhet të spostohet
Mjeda, apo për t’i dhënë vlerësimin e vërtetë Koliqit duhet të
harrohet Migjeni! Ky koncept çon në varfërimin absolut të fondit
të letërsisë shqipe.

Pyetje: A ka pasur Kadare sulme nga kolegë të tij
shkrimtarë dhe a është mbrojtur ai nga udhëheqja e lartë
e asaj kohe?

Përgjigje: Të dyja janë të vërteta. Ka pasur sulme nga njerëzit e
letrave, sikurse ka pasur mbrojtje prej udhëheqjes së lartë
partiake. Por, e thënë kështu, në mënyrë metafizike, çështja
ndoshta do të ishte e pakuptueshme për lexuesin e sotëm. Eshtë
e vërtetë se shumica e thirrjeve për ndalimin e veprave të
Kadaresë e kanë pikënisjen nga poshtë. Dhe e kundërta po ashtu:
që një çështje të ngritur në këtë rrugë dikur e ka mbyllur H. Kapo,
R. Alia apo vetë E. Hoxha, me një fjalë apo një shënim. Mirëpo
prej çastit nismëtar, që është çasti i dyshimit dhe i ndalimit, deri
tek mbyllja me dhënien e lejes për botim, gjë që nuk ka ndodhur
gjithnjë, gjenden vite e shpesh dekada ndërmjet. Këto janë vitet
kur autori nuk e dinte fatin e veprës së vet: do të rehabilitohej një
ditë apo do të mbetej përjetë e dënuar. Këto janë vitet kur
shkrimtari duhej të llogariste deri në ç’term kishte vajtur
përcaktimi i gabimit të tij: dekadencë, braktisje e realitetit
socialist, aludim kundër komunizmit, kundërvënie ideologjike ndaj
shtetit, vepër armiqësore ndaj atdheut, sulm ndaj diktaturës së
proletariatit. Këto janë vitet kur vepra i ngjante një të vdekuri të
pakallur, që i shtie frikën edhe atij që kalon rrugës. Këto janë
vitet e humbura të veprave të I. Kadaresë. Ka një prirje që këto
vite të harrohen. Në një diskutim shkencor të para disa kohëve
një studiues u shpreh me shkrim se “nuk kemi dijeni të kenë
qenë ndaluar apo të kenë pasur probleme politike “Përbindëshi“
dhe “Kush e solli Doruntinën“! Në fakt, në një prej verbaleve të
takimeve në aparatin e komitetit qendror, flitet për lajthitje
ideologjike dhe formale jo vetëm për “Përbindëshin“, por edhe
për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur“! Dënimi i një vepre, sikurse
dënimi i një njeriu, mund të jetë i përjetshëm, sikurse ndodhi me
“Pashallarët e kuq“, por nuk është për të thënë “lerini këto!“
edhe për dhjetëra vepra të tjera, që janë dënuar me 3-15 vjet
ndalim. Pothuajse të gjitha veprat e Kadaresë e kanë pasur këtë
fat të mbrapshtë. Vetëm një shkrimtar, vetëm një krijues, mund
ta kuptojë ç’do të thotë “t’ia humbësh lexuesin e parë“ një vepre,
qoftë edhe për disa vjet. Në anën tjetër, edhe “lirimi“ i veprave të
Kadaresë nga dënimi i përkohshëm shpesh nuk ka qenë shprehje
e ndonjë dashamirësie evidente ndaj shkrimtarit. Për ndryshe,
pse iu mbajtën aq gjatë nën embargo? Ka ndodhur që problemet
e letërsisë së Kadaresë janë mbyllur nga lart sepse askush tjetër
nuk kishte tagër e virtut ligjor për ta bërë një gjë të tillë. Veç
kësaj, edhe vetë udhëheqja e atëhershme nuk mund t’i shtynte
këto probleme deri në pambarim, sepse me kohë ato ktheheshin
në probleme të kësaj të fundit, në probleme që nuk mund të
mbaheshin në duar. Ajo që unë kam vërejtur dhe që paraqet
mjaft interes është fakti që, në disa raste, një çështjeje të ngritur
kundër një vepre të I. Kadaresë në një çast historik i është dhënë
zgjidhje dhe në dokument është shënuar “a.a“ - akt për arkiv, që
do të thotë “problem i kapërcyer“, por befas del se çështja ka
dalë përsëri nga arkivi, për arsye të panjohura, dhe është
riaktivizuar nga e para! Pse ka ndodhur kjo? Për këtë duhet një
studim më vete.

Pyetje: Në dritën e këtyre dokumenteve, a mund të
thuhet, gjithsesi, se I. Kadare është shkrimtari më i madh
i letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri?3

Përgjigje: Për mendimin tim vetë termi “realizëm socialist“
është i papërkufizuar. Veç kësaj, në mënyrën si e shtroni ju
pyetjen, duket sikur nënkuptoni ekzistencën e një letërsie tjetër,
paralele, të njëkohshme me atë të realizmit socialist, pra, të një
letërsie alternative, që për mua është një term edhe më i
paskajuar. Unë mendoj se I. Kadare është shkrimtari i një kohe,
është shkrimtari që i ka vënë emrin e vet letërsisë së pasluftës në
Shqipëri, është shkrimtari që i ktheu përmasën ndërkombëtare
letrave shqipe pas afro pesë shekujsh moskomunikimi, qysh prej
M. Barletit. Sa për informacionin që përmbajnë dokumentet, me
gjuhën e kohës, me gjuhën e specialistëve që ishin të ngarkuar
nga strukturat partiake e shtetërore për të ndjekur vijën dhe
partishmërinë, shumica e veprave të I. Kadaresë përbëjnë
“shmangie ndaj standardeve dhe skemave“ të bindjes
ideologjike.

Pyetje: Si e ndien veten autori i librit në fund të punës që
ka bërë?

Përgjigje: Tani puna ka mbaruar dhe ndihem i çliruar. Jam
munduar të jem i hapur me lexuesit, me shqetësimet e shtypit, të
botës intelektuale. Tani nuk më mbetet vetëm se të vë në duart e
tyre vetë librin. Le të jetë ky bashkëbisedim i fundmi deri në
botimin e tij: pra, të mbyllet atje ku u nis. Mendoj se vepra ka
ekuilibër. Me ekuilibër kuptoj jo vetëm qendrimin rreptësisht
realist ndaj së vërtetës. Them se ia kam arritur ta çliroj veprën
time nga pamjafueshmëria etike që përmbajnë vetë dokumentet.
Kam zbatuar parimin e bashkëlidhjes së tekstit (nominal, të
përveçëm) me kontekstin (e përgjithshëm, politik-historik). Kjo
mendoj se ka bërë që të vërtetat të jenë të relativizuara, të
bëhen të ditura këto në funksion të një procesi përmirësues në
kuptimin e së shkuarës, pa pasur asnjë qëllim të paranderur, që
të cënohen individët-subjekte. Natyrisht, konteksti i përgjithshëm
asnjëherë nuk është arsye e vetëmjaftueshme për të amnistuar
të përveçmit prej përgjegjësisë së tyre. Sinqerisht më vjen mirë
që, duke i lexuar të njëjtat burime në libër, nuk më provokojnë
atë ndjenjë refuzimi estetik dhe etik që kam provuar për vite të
tëra duke i lexuar në dorëshkrim. Kjo më bën të shpresoj se në
libër lexuesi do të gjejë dy sjellje të ndryshme: atë të subjekteve,
që shumë shpesh plagos dhe lëndon, dhe atë të vetë librit, që me
kujdesin maksimal të mundshëm përpiqet të certifikojë një proces
të vështirë, duke e larguar punën nga personalizimi e përveçimi i
diskutimeve. Duhet të më besoni se kjo ka qenë një prej
punërave të mia më të mundimshme. Por, lavdi zotit, them se ia
kam dalë të ndahem nga ndoti që shkakton ndjenja e refuzimit
dhe kjo do të jetë mirë edhe për lexuesin. Besoj se, me gjithë
dhimbjet që përmban, libri do të ketë karakter promovues për
historinë e letërsisë shqipe të gjysmëshekullit të kaluar.

Pyetje: Do të thotë se përgatitja e këtij libri ka qenë për ju
vetëm një mundim?

Përgjigje: Akti i krijimit është vetvetiu një mundim. Por do të
thoja se edhe ky libër i vështirë e ka pasur kënaqësinë e vet.
Gjithnjë më ka munduar pyetja nëse në Shqipëri ka ekzituar një
“Brez 1968“, si kudo në botë, brez që ndryshoi moralin e politikës
botërore dhe e mbylli misionin e vet me Aktin Final të Helsinkit,
që ishte kurora e gati dy dekadave përpjekjesh për të ndryshuar
botën, për të demokratizuar mendimin politik. Me lëvizjet
tronditëse të “Brezit 1968”, kryesisht në Europën Perëndimore,
por edhe në botën ish-komuniste, deri në Kinën e largme, lidhet
një prej nyjeve të rëndësishme të historisë së “luftës së ftohtë”
në shkallë botërore. Në mesin e viteve 1960 ndodhën lëvizje të
mëdha mendimi. Në botën e artit, sidomos të artit të skenës,
hapësira tradicionale e lirisë u shpall e pamjaftueshme dhe e
pavlefshme, jo vetëm në Lindje, por edhe në Perëndim. Në ish-BS
Ilia Jerenburg kishte shkruar “Shkrirjen e akujve”, kurse
Pasternaku ishte lauruar me çmimin “Nobel” për “Doktor
Zhivagon”. Në Europë ishte shfaqur përpjekja për të bërë letërsi
të “heronjve të dobësisë” ose të “deheroizimit”. Në Perëndim
gjithashtu po promovoheshin me shpejtësi slogane që kishin
mbetur të pandryshuar qysh prej kohës së Rilindjes Europiane.
Titujt e këngëve të mirënjohura të “Beatles”-ve, si “Let it be!”, u
bënë parime morale për brezat e viteve 1960, të cilët shpesh e
identifikojnë veten bashkërisht në ”Brezin 1968”, për shkak se ky
qe viti më tronditës në gjithë këtë periudhë. Djemtë e këngës së
metrove dhe të “broadway-it”, djemtë e ritmeve që pëlqeheshin
nga njeriu i zakonshëm, që nuk kishte mundësi të ndiqte jetën e
skenave metropolitane, befas u bënë krijues të “ideve mit”. Një
ide e tillë, për të zënë vend dhe për t’u bërë moto, duhej të
mundte ose së paku ta nxirrte nga kujtesa dhe të shmangte
dilemën e Hamletit “To be or not to be - that is the question!”.
“Brezi 1968” hyri në jetën e shoqërisë moderne me frymë revolte
dhe refuzimi: estetik, etik, politik dhe social. Pikërisht refuzimi e
bëri këtë brez protagonist në historinë e “luftës së ftohtë”. Krahas
me “Beatles” do të shfaqeshin “Pink Floyd”, me “Another brick on
the wall” dhe me thirrjen tejet të vendosur, po aq sa dhe
kapricioze, drejtuar shkollës dhe mësuesve: “No more
education!”. Fryma refuzuese e “Brezit 1968” në disa prej
vendeve perëndimore mori karakterin e lëvizjeve masive.
Studentët dhe rinia në Francë pushtuan sheshet dhe vunë në
alarm qeverisjen. Protesta u shpreh edhe në forma të vrazhda,
deri tek dëmtimi fizik i vlerave të kulturës materiale. Në Itali dhe
Britani gjithashtu “Brezi 1968” vuri në lëvizje mendimin e
shoqërisë dhe kërkoi prej saj një horizont të ri pritjeje. Në SHBA,
dy-tre vjet më vonë, pikërisht në vitin 1971, një i ri arriti të
dërgojë mesazhin e parë elektronik, duke i shtuar alfabetit
ndërkombëtar shenjëzën “@” dhe duke themeluar armën më të
rëndësishme të shembjes së mureve, të shkatërrimit të
bunkerëve. “Brezi 1968” në vendet ish-komuniste satelite të BS
përgatiti heroin e “protestës së bardhë”, të shenjëzuar në figurën
e çekut Jan Palah, i cili dogji veten në një shesh të Bratislavës,
për të shprehur mospajtimin me praninë e trupave të Traktatit të
Varshavës në vendin e tij. Pa sloganet, parullat, lëvizjet,
manifestimet, karshillëkun, sfidën dhe sidomos refuzimin e
“Brezit 1968”, që veproi kryesisht në një mjedis parapolitik, është
thuajse e pamundur të përfytyrohet nisma e shumicës së
shteteve të Europës, në Perëndim dhe në Lindje, për t’u bashkuar
në zotimin për plotësimin e përgjegjësive për kultin e lirive
njerëzore, që ishte njëherësh kundërvënia më e madhe ndaj
“kultit totalitar të individit“.
A ka pasur një “Brez 1968” edhe në Shqipëri? Për shkak të
mungesës së informacionit shpesh mendohet se Shqipëria, duke
qenë një vend ku “edhe zogjtë duhej të merrnin leje për të hyrë”,
me një pozitë jashtëbllokiste, mbeti jashtë rrjedhave të kësaj
kohe tronditjesh të mëdha. Dhe të mbetesh jashtë rrjedhave të
kohës të mungosh në kohëra epokale, është një mallkim i madh.
Në rastin më të mirë, ata që e njohin disi historinë e Shqipërisë,
gjejnë njëfarë “Brezi 1968” edhe në këtë vend, por të gjitha
“meritat” dhe zullumet e tij lidhin me luftën kundër fesë dhe
institucioneve të klerit. Sipas karakterizimit të shkrimtarit I.
Kadare, pikërisht në këtë periudhë për Shqipërinë filloi “Dimri i
vetmisë së madhe”. Vendi sapo kishte dalë nga Traktati i
Varshavës. Nuk kishte asnjë shenjë afrimi politik me Perëndimin,
por as Perëndimi nuk tregoi ndonjë vëmendje për aktin sfidant të
Shqipërisë. Eshtë një fat që “Brezit 1968” në Shqipëri në një çast
i doli në ballë bota e artit. Konfrontimi midis “brezit të
shkrimtarëve antifashistë” dhe “brezit të ri” të shkrimtarëve të
formuar në shkolla u duk se kishte të bënte me çështje formale
(varg i lirë apo varg i matur etj.), por në fakt rezultati qe shthurja
e mjeteve tradicionale të të shprehurit. Në këtë klimë lindi një
letërsi me frymë pacifiste, ku një komandant ushtarak i huaj
here-herë shfaqej si personazh pozitiv (“Gjenerali i ushtrisë së
vdekur”). Në të njëjtën klimë lindën vepra ku komisarët e luftës
paraqiteshin si njerëz që, ndryshe nga përkufizimi partiak, bënin
dashuri me vajza familjesh të lëkundura në qendrimin ndaj luftës
antifashiste dhe të shkolluara në Perëndim. Kjo klimë e
brendshme, veçanërisht lëvizjet e mëdha tronditëse të rinisë në
Perëndim, e bënë udhëheqjen ish-komuniste t’i vinte gishtin
kokës. Ishte e qartë se edhe në Shqipëri do të ndodhte diçka e
rëndësishme. Por çfarë do të ndodhte?! Do të lihej rinia të ndiqte
modelin e Perëndimit apo duhej shpikur një lëvizje rinore me
nxitje nga lart dhe me pamje të jashtme si lëvizje popullore,
shprehje e iniciativës së rinisë për ndryshim?! Sikurse tregojnë
dokumentet, udhëheqja e atëhershme e Shqipërisë, duke e
ndierë se ç’tërmet po afrohej, duke iu trembur frymës së “de-
tente-s” që ngjante e pashmangshme, vendosi të kombinojë
vullnetin e rinisë për ndryshime me kontrollin e iniciativës së saj
nga lart. Parimisht, nëse në Perëndim lëvizja e rinisë (“Brezi
1968”) nuk shenjëzohej në modelin heroik, përkundrazi,
shenjëzohej në modelin njerëzor, mundësisht të deheroizuar, të
çmuar prej dobësisë, kryesisht në modelin e njeriut me përjetim
tokësor, jo-dramatik (“Let it be!”), udhëheqja e Shqipërisë krijoi
për këtë brez modelin e heroit. Pikërisht në këtë kohë u themelua
dekorata “Heroi i punës socialiste”. Hero u bë një hero që
punonte 365 ditë në bujqësi megjithëse ishte i verbër. Hero u
shpall një çoban që siguronte shumë qumësht nga tufa e
bagëtive kolektive që ruante. Hero u shpall ushtari që nuk u ndal
në rrugë prej vështirësive të dëborës, por mbeti i ngrirë midis
malesh, duke shkuar në postën kufitare ku e priste detyra. Kulti i
heroit dhe heroizmit i kundërvihej frymës liberale të lëvizjes
perëndimore të “Brezit 1968”.
Për mua është një fakt me rëndësi historike që edhe në Shqipëri
“Brezi 1968” veproi duke shpërthyer të njëjtat energji si në
Perëndim, ndoshta më të vrullshme. Me veprën e I. Kadaresë dhe
të brezit që shenjëzoi mund të thuhet se shpëtoi edhe fytyra e
“Brezit 1968” dhe Shqipëria nuk mbeti jashtë rrjedhave. Pikërisht
arti dhe letërsia e cilësisë së parë e kthyen lëvizjen e masave në
lëvizje mendimi e ndikimi dhe ndoshta kjo qe arsyeja që Kadare
pagoi haraç të rëndë në dy dekadat që erdhën më pas.

__________
1. Botuar në “Gazeta shqiptare“, 9-10 dhjetor 2004.
2. Për provokimin e kësaj kundërvënieje, që shpesh herë merrte
formën e opozicionit “partishmëri - devijim”, dëshmon, ndër të tjera,
ky fragment nga libri “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 260-266, me
autor V. Zhitin: “Kush të pëlqen më shumë, Dritëroi apo Kadareja? -
ai po bënte sikur po hynte në temat e mia, po më gjente telat. - Edhe
ne lexojmë ca, - shtoi, - por s’na lënë punët e shumta. Armiq ka
shumë, me gjithë punën e madhe edukuese që bën partia, me gjithë
vigjilencën e klasës sonë punëtore. Ti s’je armik, e pe ç’ishte! Po
s’më the, kë pëlqen më shumë, Dritëronë apo Kadarenë?
E dija që Dritëroi ishte zyrtarisht më i dashur se Kadareja.
- I lexoj të dy me kënaqësi, - i thashë. - Letërsia ka nevojë për të dy.
- Intelektualët pëlqejnë Kadarenë më shumë, - vazhdoi të më
shpjegojë ai që thirrej herë pas here “shef”. - Kështu thonë, por dhe
unë jam intelektual, për biokimi kam studiuar atje ku ke studiuar
dhe ti, mësues kam qenë si ti, pastaj operativ zone dhe tani jam
nënkryetar dege. Nevojat e atdheut! Mua për vete më pëlqen më
shumë Dritëroi, - po vazhdonte të llomotiste shefi, ndërkohë që mua
më vinte të ulërija ”Mjaft! Mbylleni komedinë tuaj! Thuamëni ç’keni
planifikuar, t’ju them ç’kam ndërmend të bëj. Ju bëni tuajën, unë
timen, dhe…”.
3. Sipas Claude Durand, “ka disa forma të disidencës. Forma më e
thjeshtë është ajo që e gjejmë në shumë vende të Lindjes: mërgimi,
zgjedhja për të lënë atdheun, megjithëse jo me vullnetin tënd. Për
mendimin tim kjo nuk është dissidence, në raport me luftën që bën
një shkrimtar apo intelektual në diktaturë, i cili vendos të rrijë në
vendin e vet, në atdheun e vet. Këtu kemi të bëjmë me nivelin më të
epërm të disidencës, pra, tek qëndresa. Këtë unë e quaj disidencën
më të mirë, të atij që qendron dhe lufton deri në fund, domethënë
deri në një moment të fundmë, si në rastin e Kadaresë, kur edhe ikja
bëhet efikase dhe simbolike. Kadare zgjodhi të rrijë në Shqipëri. Nga
të gjitha rastet dhe nivelet e disidencës, më sipërorja është ajo e
njeriut që në situatat për të cilat po flasim qendron në atdhe”
(“Shekulli”, 27.05.2004).
PJESA III

(BURIME DOKUMENTARE)
DOKUMENTI NR. 1:

“Princesha Argjiro“ historikisht nuk ka se si të
qendrojë më këmbë, duke qenë krejt e gabuar.
Argjiroja paraqitet në faqen e parë me buzë të
kuqe, kurse ajo është një luftëtare dhe do të
ishte mirë të kishte djepin e fëmijës mënjanë
dhe shpatën në tjetrën. Shtëpia botuese nuk
duhej të lejonte të botohej një poemë që nuk
bazohet në histori”.

Gjirokastër, më 30 maj 1958
Shoqja Liri1
Kam disa vjet që merrem me një monografi për rrethin dhe
qytetin e Gjirokastrës gjatë shekujve, por ca ditë më parë pashë
me çudi se poeti i ri Ismail Kadareja boton një poemë me titullin
“Princesha Argjiro“, e cila historikisht nuk ka se si të qendrojë më
këmbë, duke qenë krejt e gabuar. Gjirokastra nuk u themelua
prej saj2 dhe as që mori emrin e Argjiros.
Nga burime arkivale, nga historia, nga shkrime që të parët tanë i
kanë ruajtur mirë e bukur, dhe jo nga legjenda, si ajo që paraqitet
në tekstin e poetit, del se Gjirokastra është e vitit 568 epoka e re
dhe nuk është aspak e vërtetë se mori emrin e Argjiros në
shekullin e 15-të, se në këtë kohë këtu erdhën turqit, duke lënë
mënjanë pastaj se a mund të lejonin turqit që qyteti të merrte
emrin e një luftëtareje që u ngrit kundër tyre3.
Poema, e bazuar në histori dhe në shkrime të sigurta, pasi poeti
të ishte konsultuar me ata që merren me studime historike, do të
kishte dalë pa të meta. Gjithashtu edhe ndërmarrja shtetërore e
botimeve, po të kishte pyetur, nuk do të lejonte të botohej një
poemë që nuk bazohet në histori4.
Sa për ndërmarrjen shtetërore të botimeve, kam vërejtjen se
skicografi ka gabuar që në faqen e parë, dhe arsyet janë këto, të
lidhura me tekstin e I. Kadaresë:
a. Poeti në tekst tregon se kalaja e Gjirokastrës ka formën e një
luftanije, por nga skica del kalaja e shën Triadhës ose e
Tepelenës. Skica është bërë nga Tirana, pa e parë skicografi as
pikturën që ndodhet në muzeumin arkeologjik të kryeqytetit.
b. Argjiroja paraqitet në faqen e parë me veshje jo të vendit dhe
me buzë të kuqe, kurse ajo është një luftëtare dhe do të ishte
mirë të kishte djepin e fëmijës mënjanë dhe shpatën në tjetrën,
se legjenda kështu e paraqet.
c. Skicat gjithashtu brenda tekstit nuk kanë asnjë kolorit lokal.
Poeti, sikur të kishte marrë për subjekt të poemës ngjarje si lufta
e Depe Zenevizit5 më 1417, ose sulmin e rinisë së Gjirokastrës
më 1833 kundër kalasë, gjersa e çliruan nga duart e turqve, do të
kishte dhënë një vepër të plotë e pa të meta.
Me kaq përfundoj,
Me nderime,
Lefter L. Dilo.

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., Dosja 618, Viti 1958, fl. 11-
14. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Panorama”.
2. Titulli i dokumentit në dosje: “Disa vërejtje rreth diskutimit
të maketit të historisë së Shqipërisë, nga shoku Lefter Dilo”.
3. Koncept i shkurtuar për drejtorinë e arsim-kulturës të KQ të
PPSH: “Lefter L. Dilo, arsimtar në Gjirokastër, kritikon poemën
e Ismail Kadaresë me titullin “Princesha Argjiro”, ku
shtrembërohen faktet historike për themelimin e
Gjirokastrës”.
4. Shënim shoqërues i drejtorisë së sipërpërmendur: “Lefter
Dilo ankohet për poemën “Argjiro” të I. Kadaresë. Poema nuk
është në lartësinë e atyre që Kadareja ka shkruar gjer më sot.
Shokët e Lidhjes janë të pakënaqur edhe nga realizimi artistik i
saj. Po kështu dhe unë. Mendoj t’i telefonohet komitetit të
partisë Gjirokastër që t’i thotë L. Dilos të bëjë një kritikë në
shtyp (revista “Nëndori“), ku të shtrojë vërejtjet e tij për
poemën“. Nënshkruar: Fatmiri.
5. Shënim i N. Hoxhës: “Të veprohet pasi të vihet në dijeni
shoqja Liri. Nexhmija“.
6. Shënim i Liri Belishovës: “Të kritikohet Kadareja, por me
kujdes, mos ta vrasim, se është i ri. Po për gjërat e tij të mira,
a kemi shkruar? Për këto të më raportohet. Nënshkrimi”.
7. Shënim i një nëpunësi të drejtorisë: “Përgjigjja iu dha6 me
anë të komitetit të partisë të Gjirokastrës (nëpërmjet) sh. Lekë
Vasi.
8. Shënimi i fundmë, nënshkrim i palexueshëm: Dosja u mbyll.
Përfundoi, u shkruajt në revistën (pa emër)7.

__________
1. Liri Belishova, anëtare e byrosë politike, sekretare e komitetit
qendror, e ngarkuar me problemet ideologjike.
2. Princeshës Argjiro.
3. Emri i Gjirokastrës, sipas burimeve të krishtërimit të hershëm, në
krye të herës del në formën “Angelocastro“, kurse emri i qytetit
tjetër të së njëjtës epokë dhe rajon, “Adrianopolis“, u trashëgua në
toponimin “Drinopolis“ - Dropull.
4. Autori vijon më tej me një varg vërejtjesh për mungesën e
përgatitjes shkencore të ciceronëve që u shpjegojnë historinë e
qyteteve jugore të vendit “miqve sovjetikë“.
5. “Zenebishtit“, më saktë, sikurse është forma shqipe e këtij
patronimi.
6. Lefter Dilos.
7. Nga përshkrimi i plotë i nëpunësve dhe strukturave partiake të
angazhuara për këtë rast mund të kuptohet përmasa e shqetësimit
për gabimet e shkrimtarit. Nuk është e mundur të plotësohen në të
gjitha rastet kështu imtësisht shkallëzimet dhe ndarjet e ndjekjet e
përgjegjësive për të gjitha dosjet që janë përzgjedhur për botim në
këtë libër. Me kalimin e viteve numri i njerëzve, ekspertëve, zyrave,
nëpunësve, organizmave që marrin detyra për vlerësimin politik të
letërsisë së I. Kadaresë zgjerohet mjaft.

DOKUMENTI NR. 2:

“Krijimtaria e I. Kadaresë gjendet ende në fazën
e formimit. Tani për tani në vargjet e tij ka
gjurmë të ndikimit të modernizmit perëndimor,
dhe në këto raste poezia e tij bëhet mjaft më e
ndërlikuar dhe e errët. Ndikime të tilla vërehen
për shembull në poemën interesante “Taksi
drejt pafundësisë“1.

Ismail Kadare ka hyrë në letërsi tani vonë. Vëllimi i tij i parë
poetik “Frymëzime djaloshare” u botua në vitin 1954 dhe
përtakoi raporte të qendrueshme me lexuesin dhe opinionin
shqiptar. Talenti i qartë i poetit të ri, formimi i tij poetik, e bënë I.
Kadarenë një prej shkrimtarëve të radhëve të para të Shqipërisë
së sotme. I. Kadare i takon atij brezi shkrimtarësh shqiptarë që u
formuan pas çlirimit të popullit shqiptar prej pushtuesve,
tradhtarëve dhe reaksionit feudo-borgjez vendës. Ai u rrit në
kushtet e rendit demokratik-popullor dhe u bë këngëtar i
Shqipërisë bashkëkohore.
Tema themelore e lirikës së I. Kadaresë është bota shpirtërore e
bashkëkohësit, e njeriut të ri, aktiv në ndërtimin e shoqërisë së
re. Lexuesin e tërheqin pasuria e brendshme e heroit lirik të
poezisë së Kadaresë, mendimet e tij të larmishme, plotësia e
ndjenjave të tij, synimi për të shprehur në mënyrë të re dhe me
mjete të reja botëkuptimin e vet.
Kadare para së gjithash është shkrimtar lirik. Atij i takojnë vargje
që përcjellin ndjenja të thella dhe të ndërlikuara të njeriut të
ditëve tona. Kadare e do bashkëkohësinë dhe gjerësisht sjell në
vargjet e tij ritmet e synimeve të kohës, si dhe atributet e
mjeteve të saj. Këtë ndjenjë moderniteti dhe këtë frymë risie, që
përshkojnë gjithë strukturën e vargjeve të tij, Kadare e trashëgon
prej poetit të shquar të shekullit të 20-të Migjeni dhe prej poetëve
të brezit pararendës, vazhdues të traditës revolucionare të
poezisë shqipe: Aleks Çaçi, Llazar Siliqi etj. Ndikim të fuqishëm
tek Kadare ka ushtruar njohja me letërsinë e Majakovskit.
Kadare është poet “qytetar”. Në vargjet e tij paraqitet pamja
industriale e Shqipërisë, që shkon drejt rrugës së socializmit.
Poezia e tij është një nga shprehjet e lulëzimit të kulturës në
Republikën Popullore të Shqipërisë.
Krijimtaria e I. Kadaresë gjendet ende në fazën e formimit. Tani
për tani në vargjet e tij ka gjurmë të ndikimit të modernizmit
perëndimor, dhe në këto raste poezia e tij bëhet mjaft më e
ndërlikuar dhe e errët. Ndikime të tilla vërehen për shembull në
poemën interesante “Taksi drejt pafundësisë“, fragmente të së
cilës lexuesi do t’i gjejë në këtë përmbledhje. Por kjo “sëmundje“
e poezisë së Kadaresë është sëmundje e rritjes. Ne me të drejtë
besojmë se poeti i ri përsëri do t’i gëzojë lexuesit me vepra të
reja të qarta.
__________
1. Pohimi i përkthyesit rus D. Samoilov, një prej figurave qendrore të
mendimit letrar të vendit në periudhat e mëvonshme, se “në vargjet
e I. Kadaresë ka gjurmë të ndikimit të modernizmit perëndimor“ në
njërën anë është shprehje tipike e “botimeve kritike“, siç quheshin
në atë kohë botimet prej letërsisë së huaj, që nuk përmbushnin
kriteret e realizmit socialist. Në anën tjetër, ky pohim, i shprehur
publikisht në parathënie të librit “Lirika“ pikërisht në vitin 1961, në
vitin kur marrëdhëniet midis BS dhe Shqipërisë ishin shkatërruar,
përbënte një argument që mund të përdorej lirisht kundër
shkrimtarit në vendin e tij. Botohet me disa shkurtime, pa të dhënat
biografike për jetën e shkrimtarit, që janë të njohura për lexuesin.
Përkthimi është i autorit të librit.

DOKUMENTI NR. 3:

“Kronikë në gur“ s’është ngritur fare mbi
tipiken, por mbi të rastësishmen e shëmtuar. Si
vepër ajo nuk i takon aspak realizmit socialist.
Për më tepër ajo është një vepër syrrealiste.
Tani për tani sulmi në shtyp kundër Kadaresë
mund të mos provokohet, por gjithçka të bëhet
pa rënë në sy. Ai roman të hiqet menjëherë nga
qarkullimi”.

Republika Popullore e Shqipërisë1
Shoku Ramiz Alia,
Jam një mësues letërsie. Jam shumë i ri në moshë, 23 vjeç. Babai
im është komunist i 1943-shit dhe më ka mësuar të jem i
ndershëm dhe i partishëm2.
Lexova romanin e I. Kadaresë “Kronikë në gur“. Mendoj që vepra
s’është ngritur fare mbi tipiken, por mbi të rastësishmen e
shëmtuar3. Pra, si vepër ajo nuk i takon aspak realizmit socialist.
Për më tepër ajo është një vepër syrrealiste.
Unë lexoj në tri gjuhë të huaja dhe syrrealizmin, nëqoftëse nuk e
njoh shumë mirë, e njoh mirë.
Duke qenë se në jetën time unë zgjodha detyrën që t’i rri pranë
me çdo kusht partisë sime, sepse nuk kam asgjë më të shtrenjtë
se ky popull e kjo parti, dhe se ata 28 mijë dëshmorë që dhanë
jetën për lumturinë time dhe të shokëve të mi, i prekur thellë dhe
i tronditur prej kësaj vepre, që nuk është e zakonshme për I.
Kadarenë, tek i cili kemi drejtuar sytë tanë, si qytetar dhe si një
komunist i ardhshëm, mendoj se ai roman të hiqet menjëherë
nga qarkullimi.
Unë kam përgatitur një artikull, jo me qëllim botimi4 (tani për tani
sulmi në shtyp kundër Kadaresë mund të mos provokohet, por
gjithçka të bëhet pa rënë në sy, se na intereson të mos njolloset
si personalitet)5, dhe do t’jua sjell menjëherë, nëqoftëse partia e
merr të drejtë mendimin tim.
Gjithashtu unë jam një letrar i ri. Tani del në qarkullim vëllimi im
me poezi, për botim është dhe i dyti dhe dy drama. Pra, unë jam
në hapat e mi të parë. Ky artikull, po të çohej në ndonjë
institucion, do të më kushtonte shtrenjtë, sepse kundër meje
mund të hakmerreshin. Mos më merrni, ju lutem, për
sentimental, por një ose dy mikroborgjezë do të gjendeshin6,
prandaj na falni nëqoftëse ju heq një pjesë të kohës aq të
nevojshme për një udhëheqës.
Përshëndetje revolucionare7,
Juaji,
Nënshkrimi8
Berat, 28.6.1971

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 626, Viti 1971.
2. Shënim në kartelën përmbledhëse të letrës: “Dërguar nga
…. Rruga “Enver Hoxha”, Berat. Eshtë i mendimit se romani i I.
Kadaresë “Kronikë në gur” është një vepër surrealiste dhe nuk
ngrihet tek tipikja, por qendron tek e rastësishmja e shëmtuar.
Propozon heqjen e veprës nga qarkullimi”.
3. Shënim i R. Alisë: “Sh. Pirro e Ismail Hoxha”. Në kartelën
përmbledhëse saktësohet: “Shoku Ramiz Alia porositi që letra
të lexohet nga shoku Pirro Kondi dhe Ismail Hoxha, për dijeni”.
4. Gjenden nënshkrimet e të sipërshënuarve për marrjen
dijeni.
5. Nuk ka shënime për të treguar interesim për artikullin që
autori i letrës i propozon udhëheqjes partiake.
6. Arkivuar pa përgjigje më 25.9.1971 nga I. Kodra.

__________
1. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri”. Vetë fillimi i kësaj
letre është shprehje e një mendësie “të shtetëzuar” që ka
karakerizuar kohën.
2. Në emër të partishmërisë është shkruar vetë letra.
3. Vetë termi “mbi të shëmtuarën” përmban një akuzë të rëndë për
veprën, sepse pikërisht në këtë periudhë në Perëndim zhvillohej
“letërsia muviste”, letërsia që estetizonte të shëmtuarën.
4. Pohim i drejtpërdrejtë i kritikës së fshehtë, “për të ndihmuar
partinë”.
5. Shih shënimin 4. Autori flet në “shumësin e kolektivizuar“.
6. Autori thekson qendrimin e vet klasor.
7. Edhe një herë rikthehet mendësia e “njeriut të shtetëzuar“.
8. Për arsye etike, në këtë rast dhe në çdo rast tjetër ku, në këtë
libër, emrat e autorëve nuk jepen drejtpërsëdrejti, ose identifikohen
përmes funksioneve apo inicialeve, u lihet në dorë atyre vetë të
njohin ose jo publikisht autorësinë dhe të shpjegojnë arsyet e
qendrimit të mbajtur.

DOKUMENTI NR. 4:

“‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’ e botoi
borgjezia”; “Tani që me ‘të vjetrit’ i lamë hesapet
kemi punë me I. Kadarenë”.

Republika Popullore e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, më
10.8.1972

Informacion
Mbi disa qendrime në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve
të Tiranës1
Ministrisë së Punëve të Brendshme2
(Drejtorisë së parë)

Ashtu sikurse ju kemi njoftuar edhe në materiale të mëparshme,
në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve ka mjaft diskutime në
rrethe të ngushta, konsiderata për punën e Lidhjes dhe
shkrimtarëve në përgjithësi, si dhe në disa raste vlerësime dhe
qendrime jo të shëndosha partie.
Veçanërisht këto kohët e fundit po bëhen komente të ndryshme
rreth një novele ku aludohet për shkrimtarin Ismail Kadareja dhe
rreth një artikulli botuar për këtë novelë nga H. B.
Në përgjithësi shkrimtarët dhe artistët dënojnë qendrimin e
autorit të novelës kundrejt Ismail Kadaresë, duke e konsideruar si
një poshtërsi. Bile edhe shokë të afërt të autorit, si A. K., janë
indinjuar për sjelljen e tij dhe kanë shfaqur habinë se si është e
mundur që të veprohet në atë mënyrë kundër një kolegu. Sipas
shprehjeve të thëna në intimitet shkrimtarit A. Sh., autori i
novelës është shprehur: “Ikën të vjetrit, tani do të përleshemi me
njëri-tjetrin ne të rinjtë, se me ata i qëruam hesapet. Ismail
Kadaresë duhet t’i tregojmë vendin!“. Nga të dhënat që
disponojmë nuk rezulton që autori i novelës të ketë pranuar se në
novelën e tij bëhet fjalë për Ismail Kadarenë.
Burimet tona thonë se kjo novelë është botuar nga shtëpia
botuese “Naim Frashëri“, ku redaksinë përkatëse e drejtojnë
njerëz që nuk shkojnë mirë me Ismail Kadarenë. Gjithashtu edhe
redaktori i novelës A. K. nuk shkon mirë me Kadarenë. Prandaj
mendohet, thotë burimi ynë, se ata e kanë kuptuar qëllimin e keq
që ka pasur autori i novelës dhe me ndërgjegje e kanë lejuar të
botohet. Redaktori nuk ka pranuar që pjesa ku aludohet për
Kadarenë të ketë qenë që në kohën e redaktimit. Shkrimtari N. J.,
i cili e kishte lexuar në dorëshkrim atë novelë, ka deklaruar se
nuk ka ekzistuar një përshkrim i tillë. Edhe D. Sh., me të cilin ka
biseduar ai, nuk e ka konstatuar këtë. Ndërsa kopja e parë e
novelës në fjalë, e cila do të vërtetonte nëse ka qenë qysh në
fillim pjesa që aludohet, apo është shtuar mbas redaktimit, sipas
shokëve të Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk gjendet në redaksinë
përkatëse. Mendohet se është zhdukur qëllimisht3.
Të dhënat flasin se për Ismail Kadarenë dhe krijimtarinë e tij
mjaft shkrimtarë nuk kanë simpati, madje flasin ashpër. A. K.
është shprehur: “Unë për Ismail Kadarenë nuk shkruaj, se me të
jam zënë. Në krahun e tij modernist ka figura shokësh që unë nuk
u kam besim të nesërmen”. Shkrimtari G. Z. i ka thënë një
burimit tonë se në kritikën tënde për Ismailin (që nuk u botua) “ti
ke vënë shumë pak gjëra, Ismaili ka nga këto një thes me të
meta”. Për botimet në gjuhë të huaj të romaneve të I. Kadaresë
ka mendime që lënë të kuptohet se, përderisa pëlqehen dhe
botohen në vendet kapitaliste, ato kanë gabime. Kështu,
shkrimtari F. Gj., kur është përkthyer romani “Gjenerali i ushtrisë
së vdekur”, është shprehur se “borgjezia e përktheu dhe e botoi
këtë vepër”. Kurse L. Q. është shprehur: ”Gabim që i çmojnë
veprat tona nga Franca, ato duhen çmuar nga jehona në vatrat
revolucionare të botës. Kot i bien në qafë konservatorizimit. Asnjë
vepër konservatore nuk është ndaluar, si ato, modernistet“. N. B.,
para pak ditësh, në një ambient gazetarësh të revistës “Hosteni“,
ka thënë se “të gjithë po e lexojnë novelën, për mua kot e botoi
“Zëri i popullit“ atë artikullin. Drama e I. Kadaresë “Gjenerali i
ushtrisë së vdekur“ ka falimentuar qysh në shfaqjen e
premierës“. Poeti V. Q., duke diskutuar rreth këtij artikulli, është
shprehur se novela është shumë interesante dhe se kryesorja në
këtë vepër nuk është figura e shkrimtarit, por heroina“. Poeti A.
E. mendon se kjo novelë është një kundërvënie ndaj romanit
“Kronikë në gur“, që është autobiografi e I. Kadaresë. Autori i
novelës pasqyron elementë të autobiografisë së vet. Me një fjalë,
i thotë Kadaresë se biografia jote është një hiç, se unë kam marrë
pjesë në luftë kundër okupatorit kur ti bridhje pas pëllumbave.
Burimi thekson se disa shkrimtarë ankohen se I. Kadare është
mendjemadh, nuk e shikon me sy letërsinë kosovare dhe nuk
shkruan asgjë për Kosovën, megjithëse i ka mundësitë4.
Por aty-këtu flitet se edhe Ismail Kadare u është kundërvënë të
tjerëve. Një burim thotë se Ismaili, duke folur për shkrimtarët e
vjetër, ka thënë se ata “janë të pafuqishëm në krijimtarinë e tyre,
ashtu siç janë edhe në jetën personale“. Një shkrimtar tjetër i ka
thënë një burimit tonë se Ismaili, duke folur për romanin “Juga e
bardhë”, ka thënë se “të gjithë kanë mbetur në faqen 27“. Një
burim tjetër tregon se, kur është diskutuar në Shkodër romani
“Dasma“, Ismaili, në përgjigje të pyetjes se “si shkove andej“,
është shprehur se “u dëgjuan disa mushkonja të vogla dhe asgjë
me rëndësi“.
Disa letrarë të rinj ankohen se gazetat nuk na botojnë gjë, se
duhet të jesh firmë e madhe ose duhet futur vitamina “m“5. Në të
tilla raste, thuhet, e pësojnë të rinjtë, sepse këtyre ua kthejnë më
lehtë shkrimet. Ka mendime se redaksitë e redaktorët mbajnë një
qendrim të paracaktuar ndaj një vepre, duke e lavdëruar deri në
fund, ose duke e kritikuar. Si shembull marrin Ismail Kadarenë,
veprat e të cilit lavdërohen dhe nuk pranohet kritikë. K. K. ka
thënë se kam përgatitur një artikull kritik për “Kështjellën“ e I.
Kadaresë, por nuk e pranuan për botim. Një burim6 thekson se,
ndërsa autorit të novelës në fjalë i vihen në dukje edhe të meta
të vogla, në të kundërtën, Ismailit nuk i vihet në dukje asnjë e
metë dhe se gjithshka atij i pranohet, pra, mendojnë se
fetishizohet personi i Ismailit.
Gjithashtu qarkullon edhe një mendim tjetër, që ka të bëjë me
opinionin që kanë lart në udhëheqje për “x“7 shkrimtar apo
veprën e tij. Për rrjedhim, thotë burimi ynë, redaktorët e
redaksive, në përcaktimin e vlerës së ndonjë vepre, shikojnë
mendimin që kanë lart. P.sh., thuhet se një nga udhëheqësit ka
lavdëruar romanin “Kronikë në gur“ dhe kjo konsideratë përhapet
në masë e pastaj të tjerët heshtin. Një gjë e tillë thuhet edhe për
artikullin e P. M. për romanin “Dasma“, për të cilin burimi thotë
se të tjerët shprehen se artikulli është direktiv dhe për pasojë, në
rast se flitet kundër vlerësimit konkret, atëherë mendohet se je
ngritur kundër direktivës8.
Disa vjet më parë, në prag të kongresit të dytë të shkrimtarëve
dhe artistëve, këta kishin tendencën e ndarjes në “të rinj“ dhe “të
vjetër“, të cilët i kundërviheshin njëri-tjetrit. Mirëpo, me gjithë
luftën e bërë në mënyrë të vazhdueshme nga partia, përsëri
ekzistojnë ambiente të tilla. Tani flitet se shkrimtarët dhe artistët
ndahen në brezni: “brezi i vjetër“, “brezi i mesëm“, “brezi i ri“.
Këto vitet e fundit, meqenëse e shikojnë se Ismaili, Dritëroi, janë
afirmuar dhe kanë sukses, kanë hyrë në konflikt me ta, duke
përdorur si bazë edhe formën e të shkruarit, të gjatë apo të
shkurtër. Romanet e këtyre i konsiderojnë reportazhe, bile ndonjë
ka mendimin se ata kanë rënë nën ndikimet e huaja moderniste.
Shkrimtarët e “brezit të mesëm“ vazhdojnë të thonë se të vjetrit
janë konservatorë. Të rinjtë që kërkojnë të dalin në arenë dhe
meqenëse nga niveli janë më ulët se Ismaili e Dritëroi, mohojnë
se këta janë të zotë dhe thonë se janë “si gjithë të tjerët“9.
Në disa elementë nga radhët e shkrimtarëve dhe artistëve
konstatohen edhe shprehje e shfaqje mendimesh me karakter
armiqësor. Këto janë probleme që diskutohen ndër shkrimtarë e
artistë, sigurisht jo në mbledhje të hapura, por në rrethe të
ngushta. Mendojmë se nga mënyra si bisedohet dhe ngrihen këto
probleme në ambiente të caktuara, tregohet se duhet bërë një
punë e madhe në radhët e shkrimtarëve e artistëve nga ana e
partisë dhe e organizmave të saj10. Ndërsa nga ana jonë është
bërë vlerësimi për ato që kanë karakter haptazi politik dhe do të
forcojmë punën tonë për zbulimin qysh në fillim të veprimtarisë
armiqësore që mund të dëmtojë vijën e partisë në këtë terren të
rëndësishëm ideologjik11.
Drejtori i punëve të brendshme
R. I. (d.v.).

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, V. 1972, D. 354, fl. 2-14.
2. Në fletën shoqëruese të arkivimit gjendet shënimi i R. Alisë:
“Shokut Enver, për dijeni, 19.9.1972“.
3. Gjendet nënshkrimi i E. Hoxhës, pa datë.
4. Gjendet shënimi: “Të protokollohet e arshivohet, tha Iloja
(Kodra)“.

__________
1. Titulli është i vetë dokumentit. Botuar pjesërisht në të
përditshmen “Korrieri“ dhe në të përditshmen “Zëri“, Prishtinë,
dhjetor 2004.
2. Sikurse vërehet, informacioni nuk i është drejtuar zyrtarisht
ndonjë funksionari apo zyre në komitetin qendror të PPSH.
Gjithashtu nuk gjendet ndonjë gjurmë tjetër për përcjelljen
zyrtarisht në këto instanca (shkresë përcjellëse). Një prej
punonjësve të aparatit të komitetit qendror, I. Kodra, ka porositur
që informacioni “të protokollohet e arshivohet“, edhe kjo shenjë se
dokumenti ka mbërritur në komitetin qendror të PPSH në formë
jozyrtare.
3. Vetëm ky rast përbën objektin e një kërkimi më vete, duke marrë
në vlerësim dhe në krahasim edhe materialet e botuara.
4. Për arsye etike rregullisht janë shënuar vetëm inicialet.
5. Ideologji marksiste.
6. Në të gjitha rastet termi “burim“ është i origjinalit.
7. Kështu në tekst.
8. “Implikimi“ i udhëheqjes, që mbron një shkrimtar apo një tjetër,
mund të jetë një nga arsyet pse informacioni i është përcjellë
udhëheqjes partiake.
9. Nga ky informacion mund të kuptohet se ajo që ndodhi dy muaj
më vonë, dënimi i rreptë i Festivalit të 11-të të këngës në
radiotelevizion, nuk qe aspak një ngjarje e rastit dhe e papritur.
10. Kronologjikisht vërehet se qendrimi politik ndaj I. Kadaresë pas
këtij informacioni bëhet më i rreptë. Po ashtu, vija politike e PPSH
në fushën e letërsisë dhe arteve bëhet shumë më intrasigjente. Ky
është momenti kur, me sa duket, udhëheqja politike e PPSH e
kupton se “Brezi 1968“ edhe në Shqipëri po kthehej nga brez
aksionesh në brez mendimi. Figura e I. Kadaresë në këtë situatë
është në qendër.
11. Dokumenti është botuar pjesërisht, në masën që i përgjigjet
titullit të librit.

DOKUMENTI NR. 5:

“Autori është ndikuar mjaft nga modelet e
sotme të letërsisë së botës perëndimore në
deheroizimin e heronjve, në spontaneitetin e
ngjarjeve dhe në fragmentarizmin. Spontaneiteti
në pasqyrimin e realitetit është tipar i së
ashtuquajturës rrymës letrare “sipas rrjedhës së
jetës“, që është bërë e modës në vendet
borgjeze e revizioniste. Në qoftë se autori do të
mund të ndryshonte mënyrën e konceptimit të
realitetit tonë, atëherë do të ishte plotësisht i
drejtë e i nevojshëm ribotimi“.

Recension
Për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”1
Romani është i rëndësishëm si për temën që trajton, ashtu dhe
për vlerat e tij ideo-artistike. Eshtë kjo arsyeja që në shtyp u
zhvillua gjithë ai diskutim i madh, me ndeshje mendimesh,
shpesh herë të kundërta. Tani janë të njohura mirë si vlerat,
ashtu dhe dobësitë e tij. Megjithatë, dorëzimi i tij për ribotim e
bën të domosdoshme edhe rivlerësimin e romanit.
Romani ka një bosht qendror (ndeshja e marksizëm-leninizmit me
revizionizmin) rreth të cilit zhvillohen gjithë ngjarjet. Autori e
shikon problemin sa në gjerësi, aq dhe në thellësi. Ai nuk
kufizohet me ndeshjen në Moskë, ai ndjek ndikimin e procesit që
fillon atje në gjithë jetën politike, ekonomike dhe shpirtërore të
vendit dhe shoqërisë sonë, të klasave dhe shtresave të veçanta
të saj. Kjo e bën romanin sa të gjerë dhe epik, aq dhe interesant
dhe komunikues. Romani të detyron të mendosh, të gjykosh dhe
të vlerësosh. Por kur gjykon për këtë roman nuk mund të mos
vëresh dhe karakterin kontradiktor të disa pjesëve të tij.
Romani, i parë në strukturën e tij, do të thoshim se shtrihet në tre
plane kryesore. Plani i parë është ndeshja midis partisë sonë dhe
udhëheqjes revizioniste sovjetike. Plani i dytë është qendrimi i
partisë dhe masave tona punonjëse për të përballuar presionet
dhe bllokadën revizioniste. Plani i tretë është qendrimi i armiqve
të klasës brenda vendit. Të tre këto plane lidhen reciprokisht njëri
me tjetrin. Realizimi ideo-artistik i planit të parë është dinjitoz. Si
plani qendror i romanit ai ndikon në dy planet e tjera dhe
reflektohet drejtpërdrejt në to. Në planin e tretë ai reflektohet
bukur e fort. Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik
ringjalli mendimet dhe shpresat e klasave të përmbysura, i bën
më “agresive“ ëndrrat e tyre për hakmarrje dhe për të kthyer
pushtetin e humbur. Autori, me një forcë të madhe artistike, lidh
në mënyrë logjike edhe perspektivën e përbashkët të armiqve
tanë të jashtëm e të brendshëm. Këtë ai e bën pa fjalë të tepërta,
pa deklarata. Makinës së ambasadorit sovjetik i zë rrugën makina
që çonte në varreza trupin e plakës Nurihan. Kurse në planin e
dytë plani i parë thyhet, reflektohet pak shtrembër. Realiteti ynë i
asaj kohe nuk jepet në dritën e tij të vërtetë, nuk është plotësisht
real. Natyrisht shkrimtari nuk është një mbledhës dhe
transmetues i verbër i fakteve dhe ngjarjeve. Në morinë e tyre ai
zgjedh ato që i duhen, i ripunon dhe i ndryshon. Por çdo ndryshim
që pësojnë faktet në laboratorin e shkrimtarit duhet t’i shërbejë
një qëllimi: të japë sa më të qartë e më të plotë idenë e veprës.
Dhe ideja e veprës, sikurse dihet, nuk është e ndryshme nga
ideja që sugjeron realiteti. Në këtë drejtim plani i dytë i romanit
vuan mjaft nga mungesa e vërtetësisë, me përjashtim të
ngjarjeve në bazën e Vlorës. Me sa duket autori ndeshjen e
drejtpërdrejtë me armiqtë e kap më shpejt e më mirë. Mbase kjo
është e lidhur me shkallën e njohjes të materialit jetësor nga ana
e autorit.
Në planin e dytë menjëherë të bie në sy se qendrimi ideologjik i
autorit ndryshon. Pasqyrimi i realitetit tonë në roman, në vend që
të afrohet e shkrihet me pjesët e tjera të tij, në fakt u kundërvihet
atyre (për nga konceptimi ideor), ideja dobësohet. Kështu romani
nuk arrin të krijojë unitet ideo-estetik.
Gjatë diskutimit u bënë mjaft vërejtje për qendrimin e partisë dhe
të masave punonjëse para dhe pas bllokadës. Vërejtjet qenë të
drejta. Bile edhe diskutuesit kishin mendime krejt të ndryshme
për vlerat e romanit, vërejtjet që kishin për këtë pjesë të romanit
i kishin të njëllojta.
Dëshmi për drejtësinë e këtyre vërejtjeve është edhe redaktimi i
romanit nga vetë autori. Në “Përmbledhjen e ndryshimeve“2 që
ka paraqitur autori duket se se ai i ka kuptuar në përgjithësi drejt
ndryshimet që duhej të pësonte romani. Veçse në roman këto
ndryshime janë realizuar dobët, cekët, pa ndryshuar thelbin e
dobësive. Kur është folur për gabime të këtij romani, nuk ka qenë
fjala për lajthitje të rastit, por për një konceptim jo të drejtë të
realitetit tonë.
Duke lexuar me vërejtje romanin e ripunuar krijojmë përshtypjen
se dobësitë janë retushuar, vende-vende janë dobësuar, por të
konceptuarit e realitetit ka mbetur po ai. Do të mundohemi ta
argumentojmë këtë nëpërmjet problemeve më të rëndësishme.
1. Situata në Shqipëri pas mbledhjes së Moskës edhe mbas
redaktimit mbetet e zymtë, gati pa shpresa. Tragjizmi i ngjarjes
është hiperbolizuar. Notat pesimiste janë përdorur pa kursim.
Pesimizmi e pasiguria ruhen në shumicën e personazheve. Atë e
ndien kudo, në rrugë, në klube, në bufe, në familje. Nota
pesimiste autori ka futur edhe në mendimet e shokut Enver. Në
fl. 411 Enver Hoxha mendon: “Ky dimër, kjo vetmi“ dhe në fl.
416: “Të dalësh nga një dimër i tillë. Nga kjo bllokadë. Nga kjo
vetmi“. Edhe në momente të vështira partia dhe shoku Enver nuk
kanë rënë kurrë në pesimizëm. Në mars të vitit 1944, pas
operacionit armik të dimrit, që i shkaktoi dëme të mëdha ushtrisë
sonë nacional-çlirimtare dhe krijoi një situatë shumë të rëndë,
shoku Enver i shkruante Nako Spirut: “Letra jote e fundit,
gjithashtu dhe e parafundit, kishin një dozë pesimizmi të madh.
Me të vërtetë situata është e vështirë, shumë e vështirë, si në
Tiranë, ashtu dhe në veri të Shqipërisë, por bash në këto situata
të përpiqemi të mos e humbim nordin“. Dhe nordin, optimizmin
dhe besimin në fitore partia nuk e ka humbur kurrë, aq më tepër
në kohën e ngjarjeve që bën fjalë romani.
Notat pesimiste ruhen deri në fund të romanit. Në fl. 580 (dy faqe
para mbarimit të romanit) thuhet: “Në purpurin e saj (dritës) të
dobët Besniku pa aty-këtu fytyra njerëzish të pangjashme me
asgjë, struktura të përjetshme mishi e kocke, jashtë kohës. Drita
e kuqe e makinës ra mbi dy-tri herë dhe kjo përflakje e përgjakur
ishte e vetmja shenjë jete mbi to”.
Pas këtij pohimi autori thotë se ra sirena e mbarimit të alarmit.
Sirenën e mbarimit të alarmit ai e përdor si simbol të përballimit
të bllokadës. Por a mund të dilnin dot nga bllokada ata njerëz-
kufoma, për të cilët flet një faqe më parë autori! A mund të
bindësh lexuesin për këtë me një pohim të tillë deklarativ?
2. Romanit i mungon uniteti i udhëheqjes së partisë me masën e
partisë dhe uniteti i partisë me masat punonjëse. Autori ngjarjet
në Moskë, prishjen me revizionistët, i mban si sekret të
udhëheqjes së partisë. Kjo jo vetëm që nuk është reale, por nuk
është as logjike. Merita më e madhe e udhëheqjes së partisë dhe
personalisht e shokut Enver qendron pikërisht në atë që
problemet e luftës kundër revizionizmit i bëri probleme të gjithë
partisë. As që mund të kuptohet madhështia e partisë sonë dhe
fitorja mbi revizionizmin pa këtë mbështetje.
Autori, në variantin e ripunuar, duke dashur të theksojë
gatishmërinë e partisë për t’i bërë ballë revizionizmit, gjë që i
mungonte në variantin e parë, flet në disa vende për biseda të
komunistëve të vjetër militantë, që janë gati prapë të dalin në
mal, po të jetë nevoja. Së pari, këto pohime mbeten tepër
declarative, sepse vetë shtjellimi i ngjarjeve në roman nuk të çon
në një konkluzion të tillë. Së dyti, lind pyetja: Pse vetëm
komunistët e vjetër, komunistët e vendosur? Po gjithë masa e
partisë ç’bënte? Pse vetëm komunistët, po masat punonjëse si
reagojnë, si e mbështesin ato partinë? Autori jo vetëm në bisedat
në familje, por as në bisedën që bën Besniku në një repart të
uzinës nr. 3 nuk pranon asnjë punonjës në parti, megjithëse
Besniku flet vetëm për bisedën e tij me aviatorin sovjetik, pra,
asgjë sekrete.
Në roman flitet për hapjen e tokave të reja dhe për të rinjtë që
shkojnë atje. Por në të njëjtën kohë tregohet se shumë të rinj nuk
e dinë përse shkohet në tokat e reja. Këtë nuk e di as Beni, që
jeton në një familje me komunistë. Këto fakte të habitin. Del sikur
partia merrte vendime e organizonte aksione pa përgatitur
opinionin shoqëror, pa shpjeguar domethënien dhe rëndësinë e
tyre.
Sekreti që mban Besniku për mbledhjen e Moskës jo vetëm që
nuk i përgjigjet së vërtetës, por vende-vende shndërrohet në një
enigma naive. Megjithëse sekretet e mbledhjes së Moskës i dinin
vetëm Besniku dhe udhëheqja e partisë, njerëzit e kishin marrë
vesh që Besniku gjatë bisedimeve në Moskë kishte bërë një
gabim fatal në përkthim dhe që ky gabim na qenka bërë shkak
për prishjen.
Në roman lidhjet parti-masa janë ndërtuar në një plan të
pabesueshëm. Eshtë e vërtetë se në redaktim autori është
përpjekur ta forcojë mbështetjen që i japin masat punonjëse
partisë (kujto demonstratat që organizohen), por megjithatë ato
mbeten një element i jashtëm, një qepje. Ato nuk arrijnë të
shkrihen organikisht me logjikën e veprës.
3. Një nga dobësitë themelore të romanit ka qenë dhe mbetet
qendrimi i autorit ndaj heronjve pozitivë. Besniku, Zana, Beni etj.
kanë mbetur të pandryshuar, njerëz të lëkundur, pa vullnet,
pasivë. Heroi kryesor Besniku nuk e di vendin që zë ai në parti,
megjithëse është kandidat partie. Vendimi i tij për të shtyrë
martesën mbetet i pajustifikuar dhe i padrejtë. Ai i kupton së
prapthi lidhjet midis individuales dhe së përgjithshmes, midis
detyrave dhe ndjenjave. Koha kërkonte vërtet sakrifica, por nuk
kërkonte të mohoje vetveten. Dhe në fakt pas ndarjes karakteri i
Besnikut bëhet më i lëkundshëm, ai mbetet duke pirë bareve.
Autori e justifikon këtë plotësisht kur thotë: “Ai nuk mund të pinte
qumësht. Kjo do të ishte mungesë respekti ndaj vetes”.
Ç’karakter! Dhe ky ishte komunist. Njeriu që sakrifikoi dashurinë
për hir të ngjarjeve të mëdha në fakt tërhiqet zvarrë pas
ngjarjeve.
Karakteri i Zanës është edhe më i dobët. Çoroditja e saj shkon
deri atje sa i dorëzohet armikut të klasës. Zanës, megjithëse i
bën përshtypje ndarja me Besnikun, prapë ndien një farë
kënaqësie të brendshme, sepse ajo “ishte një femër me dramë”
(fl. 294). Çudi! Të kënaqet njeriu me fatkeqësinë e vet! Përse i
është dashur kjo autorit? Mos ndoshta me këtë ai e përgatit
Zanën për t’iu dorëzuar Markut?
Për dobësitë e heronjve kryesorë është folur shumë gjatë
diskutimit, prandaj nuk po ndalemi në mënyrë të veçantë. Veçse
po theksojmë që, me gjithë retushet e bëra nga autori, ata nuk
kanë ndryshuar.
4. Edhe pas redaktimit në roman ndihet po ajo atmosferë e
sëmurë në ambientet dhe rrugët e Tiranës. Në rrugë takon më
tepër të dehur, të rinj të shthurur, njerëz psikopatë, si Fan
Kolonja. Shpesh dëgjon këngë absurde, si ato për vajzën
flokëkuqe, për vajzën bionde etj. Kjo atmosferë rëndohet edhe
më tepër nga moria e personazheve negative, si Raqi, Araniti,
Ana Kondakçiu dhe të rinjtë e rrugës së Dibrës; njerëz pa
karakter, ambiciozë si shkrimtari R. C., kritiku Zija Shkurti etj.;
njerëz nervozë, të lodhur, të paekuilibruar, si Viktori, kryetari i
shtabit kundër përmbytjes, Liria etj.; njerëz naivë që nuk dinë
asgjë nga realiteti ynë, si fshesaxhiu Rremë etj. Nga një kënd jo i
drejtë shikohen jo vetëm figura të veçanta, por edhe shtresa të
tëra e klasa shoqërore. Ç’përfaqëson në roman klasa punëtore?
Një masë punonjësish, mbi të cilët, siç thotë Viktori, bie gjithë
pasha e vështirësive? Po inteligjencia? Atë e shohim vetëm
nëpërmjet R. C. e Zija Shkurtit, nëpërmjet Viktorit e Besnikut,
nëpërmjet atyre që kujtojnë me nostalgji kohën e studimeve në
BS. Në një dritë pak a shumë të tillë është parë edhe brezi që bëri
luftën (Raqi e Araniti, Struga që vdes nga kanceri, Liria psikopate,
Kristaqi naiv, njeriu të cilin e habit prania e Besnikut në sallën D
të Pallatit të Brigadave etj.).
Retushimet e autorit nuk i kanë ndryshuar asgjë atmosferës në
qytet dhe njerëzve që e krijojnë atë.
5. Pak ndryshime ka pësuar edhe linja e të rinjve. Marrëdhëniet e
tyre, konceptet mbi realitetin, mbi jetën dhe dashurinë, kanë
mbetur në esencë po ato. Përpjekja për të treguar se mënyra e
jetesës që preferonin të rinjtë e rrugës së Dibrës është importuar
nga vendet që hynë në rrugën e revizionizmit, me gjithë dëshirën
e autorit, nuk e kanë ndryshuar përshtypjen që linte romani për
lirinë tonë. As futja e motiveve të kalimit paqësor në socializëm
dhe as bisedat për rrezikun e rikthimit në kapitalizëm nuk arrijnë
ta evitojnë këtë përshtypje.
Eshtë e paqartë përse autori i ka futur të rinjtë tanë në situate të
huaja për ta. Ata i shikon vazhdimisht duke pirë (edhe në familje,
në sy të prindërve dhe mysafirëve, Beni e kthen gotën e rakisë
me fund). Ndërsa bisedat për dashurinë u janë qepur kudo e nuk
u ndahen. Jo më të rinjtë e rrugës së Dibrës, por edhe Mira 16-
vjeçare, mendon e bisedon vazhdimisht për dashurinë.
Marrëdhëniet e Zanës me Mirën janë ndërtuar kryesisht mbi
biseda për dashurinë. Zana pyet Mirën a ka ndonjë djalë. Mira
pyet Benin nëse ka shëtitur me ndjonjë vajzë.
Motiveve të dashurisë autori u është qepur kaq fort, sa shpesh i
shndërron ato në marrëdhënie mashkull-femër. Le të kujtojmë
mendimet që i lindin Besnikut në aeroport për marrëdhënien me
Zanën një natë përpara se ai të nisej për në Moskë; mendimin e
autorit se gjithë trupi i Mirës ishte një rezervë për dashurinë;
përfytyrimin e R. C. pas njohjes me studenten e vitit të dytë të
Universitetit (përfytyron se si flokët e saj do të binin mbi jastëk);
dramat e A. Kondakçiut dhe mendimet e saj para pasqyrës për
Besnikun dhe më në fund dorëzimin ala Shollohov të Zanës tek
Marku.
Këto nuk janë fenomene të rastit në roman, ato përmbajnë një
manierë, një koncept.
6. Autori me të drejtë thekson vazhdimisht idenë e mbrojtjes së
atdheut. Por, duke dashur të theksojë dramacitetin e këtij
problemi, ai e vështron atë në mënyrë pak të vjetëruar.
Si simbol të mbrojtjes ai përdor malësorin Nik Ukcama me
shaminë lidhur rreth kokës. Me këtë ai ka dashur të tregojë se
popullit tonë i është dashur të mbrojë vazhdimisht ekzistencën e
vet. Por duke theksuar vetëm këtë anë autori me sa duket nuk ka
në konsideratë faktin që problemi i mbrojtjes së atdheut ka
ndryshuar si në formë, ashtu dhe në përmbajtje. Ai është
pasuruar me motive socialiste dhe ka fituar tipare të reja. Prandaj
dhe kur flasim për luftën e mbrojtjen nuk duhet të mbështetemi
tek Nik Ukcama dhe plakat e Këlcyrës, por në kërkesat e atdheut
socialist. Me sa duket autori ka mendimin se tradita kombëtare
kalon e pandryshuar nga brezi në brez dhe bile nga rendi në
rend. Këtë mendim e forcon edhe qendrimi i skulptorit ndaj
krijimtarisë së tij. Të vetmen lidhje me realitetin skulptori e gjen
në pasqyrimin e kokës së malësorit të rrethuar me shami. Duke
dashur të theksojë epizmin e problemit të mbrojtjes autori e
shndërron atë gati në legjendë, e ndan atë nga problemet e
mëdha të shoqërisë sonë socialiste, kurse luftën e kthen gati në
një problem fatal. Me vështirësitë, vuajtjen dhe rrezikun e luftës
ai dënon edhe fëmijën që ende nuk ka lindur (skena e Dianës në
bibliotekë). Autori për vendin dhe popullin tonë në atë kohë nuk
sheh asnjë perspective tjetër, përveç vetmisë dhe kërcënimit të
luftës.
7. Në variantin e parë të romanit vëreheshin disa të meta
ideologjike të rëndësishme, sikurse diferencimi i forcave në parti,
lufta midis të aftëve dhe të paaftëve, qendrimi ndaj
konservatorëve dhe liberalëve. Në variantin e ri autori është
munduar të evitojë dobësitë dhe keqkuptimet e kësaj natyre. Ka
hequr pjesën ku flitet për luftën midis të aftëve dhe të paaftëve
dhe ka theksuar më tepër luftën në të dy krahët, kundër
konservatorizmit dhe liberalizmit. Natyrisht ky ndryshim i ka bërë
mirë romanit, megjithëse dobësitë nuk janë evituar plotësisht.
Ndarja në parti në “ne“ dhe “ata“, në “të besuar“ dhe “të
pabesuar“ ka mbetur. Ç’tregon kjo ndarje? A nuk shkon kjo në
dëm të idesë se partia jonë ishte një parti unike, parti
revolucionare militante?
Veç kësaj, në roman të krijohet përshtypja se shoqëria jonë është
shumë e diferencuar në shtresa dhe grupe me pikëpamje e
qendrime të ndryshme. Në të gjen me shumicë forca të errëta,
liberale e konservatore. Nuk flitet për elementë dhe pikëpamje
konservatore e liberale që formohen në kushte të caktuara, por
për grupe të tëra konservatorësh e liberalësh që nuk dihet nga
kanë ardhur e si na janë krijuar.
Megjithëse në “Përmbledhjen e ndryshimeve“ thuhet se në
variantin e ri është theksuar ideja e luftës në dy fronte, romani të
lë përshtypjen se autorin më tepër e shqetëson rreziku i
konservatorizmit3. Forcat e errëta, njerëzit e K. Xoxes, në roman
janë shumë aktive dhe përfaqësojnë një rrezik të madh, kurse
elementët e djathtë, liberalët, vetëm sa skicohen dhe nuk
përfaqësojnë asnjë forcë. Jo vetëm kaq, por përfaqësuesit e K.
Xoxes janë bile më aktivë se njerëzit tanë.
Në bisedat që bëhen në familjen e Strugës dhe në rrethet e tjera
familjare për rininë dhe për marrjen e stafetës nga ana e saj më
tepër vihet theksi në rrezikun konservator. Po ashtu, në bisedat
që zhvillohen në ekspozitën e arteve figurative dhe në vlerësimet
për kritikën letrare autori shpreh më tepër antipatinë e tij për
krahun konservator. Në ekspozitën e arteve figurative, si kritiku
R. Sh., ashtu dhe piktori me flokë të bardha (të dy konservatorë),
shqetësohen për ngjyrën blu të ndonjë tabloje: “Nga na doli kjo
blu?!“. Dihet se për ngjyrën blu është folur faktikisht kur janë
kritikuar tablotë me ndikime të huaja: “Kujtimet e një veterani“
dhe “Epika e yjeve të mëngjesit“4, ku ngjyra blu ishte kthyer në
qëllim në vetvete dhe u jepte tablove një theks të theksuar
pesimist. Antipatia e autorit kryesisht për elementët konservatorë
vihet re edhe në shprehje e vlerësime të tjera të romanit (shih fl.
226, 404).
U ndalëm kryesisht në disa dobësi të përmbajtjes. Por nuk do të
ishte pa vend të ndaleshim edhe në disa çështje të formës.
Mendojmë se një nga aspektet kryesore të dobësive të brendisë
së romanit qendron dhe tek forma. Autori është ndikuar mjaft nga
modelet e sotme të letërsisë së botës perëndimore. Këto ndikime
vërehen në mënyrë të veçantë në dy aspekte: a. Në deheroizimin
e heronjve, b. Në spontaneitetin e ngjarjeve dhe
fragmentarizmin.
Autori, duke dashur t’i shpëtojë skemës që idealizon heronjtë, që
i zhvesh nga dobësitë dhe i nxjerr fitimtarë në çdo situatë, ka
rënë në një skemë tjetër edhe më të huaj për ne: si tipare
kryesore të heronjve shikon lëkundjen, pavendosmërinë,
dështimin.
Autori, duke dashur të jetë sa më i natyrshëm, larg pompozitetit
e lustrimit të realitetit, harron ligjësitë e zhvillimit dhe ngjarjet e
faktet i kalon nëpërmjet filtrit të spontaneitetit. Dihet se
spontaneiteti në pasqyrimin e realitetit është tipar i së
ashtuquajturës rrymës letrare “sipas rrjedhës së jetës“5, që është
bërë e modës në vendet borgjeze e revizioniste.
Autori, duke dashur t’i shpëtojë sociologjizmit, shpesh herë heq
dorë nga analiza, nga zhvillimi i plotë i ngjarjeve dhe karaktereve
dhe dashje pa dashje i lë vend fragmentarizmit.
Megjithëse autori përpiqet të heqë dorë nga skemat, nuk ka
mundur të evitojë pjesët deklarative dhe faktet e jashtme. Ky
fenomen vërehet më tepër në pjesët që ka shtuar e redaktuar.
Pra, kjo tregon se forma artistike e përdorur në roman nuk
pranon me sa duket vlerësime të tjera të ndryshme nga ato të
variantit të parë të romanit. Prandaj redaktimi i përmbajtjes së
romanit, evitimi i dobësive dhe keqkuptimeve, nuk mund të
arrihej pa një qendrim kritik ndaj vetë formës.
Tani lind pyetja: a mund të ribotohet romani? Mendoj se ribotimi i
tij në formën ekzistuese nuk paraqet ndonjë domosdoshmëri. Ai
nuk ka shumë kohë që u botua dhe në një tirazh të madh. Në
qoftë se autori do të mund të ndryshonte mënyrën e konceptimit
të realitetit tonë, atëherë do të ishte plotësisht i drejtë e i
nevojshëm ribotimi.
Eshtë e vërtetë që romani ka pësuar disa ndryshime, por ato janë
vetëm një fillim i mirë. Që ky fillim të çohet deri në fund, do të
duhet një punë më e madhe, që të prekë më thellë si
përmbajtjen, ashtu dhe formën e asaj pjese të romanit, që ne e
quajtëm “plan të dytë”.
Raqi Madhi6
(Mungon nënshkrimi)
1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1973, fl. 21-30.
2. Nuk ka shënime të ndonjë zyre që e ka parë.

__________
1. Titulli është i vetë dokumentit.
2. Ky dokument, që me sa duket është përgatitur nga shkrimtari I.
Kadare për të lehtësuar krahasimin e dy varianteve të romanit, u
kërkua dhe nuk u gjet.
3. Përdoret e njëjta terminologji politike dhe ideologjike si në
fjalimin e E. Hoxhës në plenumin e katërt, për dënimin e shfaqjeve të
huaja në letërsi e art.
4. Autori i recensionit nuk ka identifikuar emrat e piktorëve.
5. Terma të shkencës letrare perëndimore.
6. Specialist për letërsinë në ish-institutin e studimeve marksiste-
leniniste. Bashkë me këtë recension ruhet edhe i dyti, përgatitur nga
kritiku D. Shapllo. Sido që edhe ky recension përmban mjaft vërejtje,
ato janë më të moderuara dhe jo të veshura me përmbajtje politike.
Për të shmangur përsëritjet, ky recension, që nuk ka luajtur rol
përcaktues për fatin e romanit, nuk përfshihet në libër.

DOKUMENTI NR. 6:

“Autori shtrembëron të vërtetën historike.
Romanin e përshkon një lloj ankthi
ekzistencialist. Patriotizmin e masave autori i
jep si patriotizëm të traditës e jo si patriotizëm
socialist. Ndihet fryma e deheroizmit.
Personazhet negativë janë më të shumtë.
Përfaqësuesit e brezit të luftës janë dhënë në
përgjithësi në dekadencë shpirtërore. Ndihet në
roman influencimi i autorit nga teoria e sotme
borgjeze e “revolucionit seksual” dhe nga
filozofia ekzistencialiste. Propagandohet
deideologjizimi, për të cilin flitet në perëndim.
Do të ishte mirë që ky roman të hiqet nga
qarkullimi“.

Partia e Punës e Shqipërisë
Komiteti i partisë - Tiranë
Nr. 439 Tiranë, më
8.5.1973

Komitetit Qendror të PPSH
(Sh. Ramiz Alia)

Po u dërgojmë informacionin e marrë nga komiteti i partisë i
rajonit nr. 3 mbi disa mendime të shfaqura në organizatën e
pedagogëve të shkollës së partisë “V. I. Lenin“ për romanin
“Dimri i vetmisë së madhe“ të I. Kadaresë1.
1. Autori shtrembëron të vërtetën historike kur si fillim të
divergjencave të PPSH me revizionistët hrushovianë vendos vitin
1960 dhe kur këto divergjenca i redukton vetëm për problemin e
grurit dhe për çështjet nacionale në përgjithësi. Gjithashtu
shtrembërohet e vërteta mbi domosdoshmërinë e marrëdhënieve
shqiptaro-sovjetike e të bazës ushtarake të Vlorës, duke i
paraqitur këto si gabim qysh në krye të vendosjes së tyre2.
2. Situata e brendshme e vendit, marrëdhëniet shoqërore e lufta
e klasave gjatë periudhës së bllokadës nuk janë pasqyruar drejt e
me vërtetësi jetësore.
Atmosfera është dhënë e zymtë dhe romanin e përshkon një lloj
ankthi ekzistencialist3. Por dihet se kjo situatë, që kërkoi sakrifica
të mëdha nga populli ynë, nuk krijoi tek ne një ankth të tillë.
Përkundrazi, ajo që ka qenë karakteristike në atë periudhë e që
nuk pasqyrohet në vepër ka qenë ngritja në një shkallë më të
lartë e unitetit moralo-politik të popullit tonë rreth partisë dhe
entuziazmi i tyre revolucionar.
Në vepër përmenden masat dhe veçanërisht klasa punëtore, që i
vunë supet bllokadës, por puna mbetet vetëm me kaq. Bile
lëvizjen revolucionare për kursimin autori pa të drejtë e ironizon.
Ndërsa patriotizmin e masave, gatishmërinë për mbrojtjen e
atdheut, autori i jep si patriotizëm të traditës e jo si patriotizëm
socialist, ose e jep si patriotizëm të pabazuar. Gjithashtu autori
pa të drejtë ul dhe përçmon rolin dhe kontributin që dha
inteligjencia jonë në përballimin e bllokadës.
3. Lufta e klasave pasqyrohet pa vërtetësi dhe nga pozitat e
humanizmit abstrakt. Armiku i brendshëm në këtë periudhë pati
iluzione, por ai nuk pati as më të voglin përfitim nga kjo situatë,
sikurse pretendohet në roman.
Autori pa të drejtë dhe në kundërshtim me mësimet e
marksizëm-leninizmit e të partisë sonë e quan si luftën më të
egër (më tej se lufta e klasave) luftën midis të aftëve dhe të
paaftëve në socializëm dhe aq më keq kur shpreh idenë se
konsekuentë dhe triumfatorë janë të paaftët. Ndërsa lufta kundër
burokratizmit (megjithëse autori e quan “burokraci“) nuk është
tragjike4, sikundër thotë ai.
4. Në vepër përligjet e propagandohet lufta midis brezave. Motoja
e kësaj lëvizjeje paraqitet egoja, ambicja etj. Bile edhe lidhjet e
komunistëve të rinj me partinë kushtëzohen nga plotësimi ose
mosplotësimi i kërkesave të tyre egoiste. Komunistët e rinj u
kundërvihen të vjetërve për arsye se këta janë deklasuar, sipas
autorit.
5. Për sa u përket heronjve, ndihet fryma e deheroizmit.
Personazhet negativë janë më të shumtë dhe paraqitja e tyre zë
vendin kryesor. Përfaqësuesit e brezit të luftës janë dhënë në
përgjithësi në dekadencë shpirtërore, fizike e deri psikike. Ndërsa
ata që do të marrin stafetën të lëkundur apo të degjeneruar.
6. Në vepër paraqiten plagë të tilla shoqërore, si alkoolizmi,
prostitucioni etj., të cilat nuk kanë qenë e nuk janë karakteristikë
e shoqërisë sonë socialiste. Ndërse mënyra se si i paraqet ato
autori bëhet shkas për propagandimin e tyre dhe të mënyrës së
jetesës borgjeze në përgjithësi.
7. Veçanërisht ndihet në roman influencimi i autorit nga teoria e
sotme borgjeze e “revolucionit seksual” dhe nga filozofia
ekzistencialiste. Propagandohet deideologjizimi, për të cilin flitet
në perëndim. Po kështu edhe në stil, veçanërisht tek përshkrimet,
ndihet influenca e surrealistëve dhe dekadentëve të tjerë.
Romani në përgjithësi nuk është shkruar sipas shijes së publikut
shqiptar. Prandaj, sipas mendimit të shokëve që ngritën këto
probleme, do të ishte mirë që ky roman të hiqet nga qarkullimi.
Sekretari i komitetit të partisë të Tiranës
Dashnor Mamaqi
(Vula dhe nënshkrimi)

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1973, D. 228, fl. 2-4.
2. Përshkrimi i përmbajtjes së dokumentit në dosje është
burokratik, pa iu referuar përmbajtjes (kush e dërgon dhe për
kë).
3. Mban nënshkrimin e R. Alisë, pa ndonjë shënim apo
udhëzim.
4. Nuk rezulton ndonjë korrespondencë apo komunikim zyrtar
e lidhur me këtë letër.

__________
1. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri”. Eshtë fakt i njohur
që diskutimi në shkollën e partisë “V. I. Lenin“ dhe disa letra të
komiteteve të partisë në rrethe nxitën një debat tejet kritik që zgjati
për disa muaj me radhë në gazetën “Zëri i rinisë”, debat që mori
karakterin e një fushate të vërtetë, ku polemika mund të zhvillohej
për javë të tëra, bie fjala, pse Zana dhe Besniku ndahen, apo pse
nuk paraqitet përballimi i bllokadës.
2. Të njëjtat mendime mbi “pasaktësitë historike“ për marrëdhëniet
shqiptaro-sovjetike shprehen afro 30 vjet më vonë nga studiuesja
ruse N. Smirnova në parathënien e romanit “Dimri i madh” botuar
rusisht në përkthimin e V. Modestov, Moskë 1991. Teksti i
studiueses ruse gjendet në këtë libër.
3. Në tekst përmenden terma të përzgjedhur të “luftës së ftohtë”,
që kishte edhe shprehjen e vet në letërsi, si “ekzistencializëm”,
“revolucion seksual” etj.
4. Kjo akuzë do të rikthehet e do të rëndojë mbi autorin veçanërisht
në rastin e heqjes nga shtypi dhe të dënimit të poemës “Në mesditë
Byroja Politike u mblodh”.

DOKUMENTI NR. 7:

“Në roman paraqitet një jetë e zymtë,
shqetësim i madh, pasiguri. Jepet ideja sikur ka
një kundërvënie për disa kuadro të vjetër. Ka
shumë pjesë që tregojnë shthurje morale të
rinisë. Për Besnikun jepet ideja se shkon pas
fustaneve. Propozojmë të hiqet nga qarkullimi
ky roman“.

Partia e Punës së Shqipërisë
Komiteti i partisë i rrethit - Elbasan
Nr. 479 prot. Elbasan, më 9.5.1973

Komitetit Qendror të PPSH1

Këto ditë ka dalë në qarkullim romani “Dimri i vetmisë së madhe”
i shkrimtarit Ismail Kadare. Lexues të ndryshëm, disa kuadro e
komunistë, të rinj etj. Kanë shfaqur mendimet e vërejtjet e tyre
për këtë roman.
Në roman paraqitet një jetë e zymtë, shqetësim i madh, pasiguri
pas prishjes së marrëdhënieve me partinë komuniste të
Bashkimit Sovjetik. Nuk del i plotë realiteti ynë, entuziazmi i
masave, iniciativat e lëvizjet e tyre për realizimin e detyrave të
mëdha që shtroi Partia në atë periudhë dhe qartësia politike e
masave për këto ngjarje.
- Në roman jepet ideja sikur ka një kundërvënie për disa kuadro
të vjetër, që shprehet përmes personazheve, si shefi i kuadrit,
veterani Struga, prindërit e Zanës2 etj.
- Bllokada dhe presioni i revizionistëve sovjetikë ndaj vendit tonë
minimizohen vetëm në mosdërgimin e një sasie gruri për vendin
tonë dhe nuk shtrihen në të gjithë sektorët e jetës. Nuk del i plotë
shkaku i ndarjes sonë, nuk dalin kontradiktat parimore në fushën
ideologjike.
Në kantierin e madh të ndërtimit, që e kanë penguar revizionistët
sovjetikë, paraqitet ideja e një çorganizimi nga kuadrot drejtuese,
e një drejtori të hallakatur etj.
Në roman ka pjesë, bile dhe shumë, që tregojnë shthurje morale
të rinisë, tendenca feministe.
Nuk është ndërtuar drejt linja e marrëdhënieve midis Besnikut
dhe Zanës. Pse shkatërrohet kjo familje, mos ndoshta bëhet
aluzion se dimri i vetmisë së madhe ka arritur edhe në familjet
tona? Akoma më keq, shkrimtari, këtë vajzë me prejardhje dhe
me qendrim të mirë politik, e katandis në marrëdhënie me një
familje të deklasuar dhe për Besnikun jepet ideja se shkon pas
fustaneve.
Në marrëdhëniet intime midis personazheve bëhen disa
krahasime me vend e pa vend, duke përdorur shprehje të tilla si:
“mos je nëna e Maksim Gorkit“, “filmi korean“, “mos je Mao Ce
Duni që i di të gjitha“, “kriza e përgjithshme kapitaliste“ etj.
Për t’i rritur vlerën këtij romani kanë qarkulluar mendime të
papjekura se këtë roman e ka lexuar dhe e ka aprovuar sh.
Enver. Rastet që janë paraqitur në këtë drejtim i kemi sqaruar.
Këto janë disa të dhëna fillestare dhe të shkëputura për vlerën e
këtij romani. Mendojmë të analizohet më thellë përmbajtja ideore
e tij, sepse kemi mendimin se nuk e ka vlerën e duhur edukative
dhe nuk i përgjigjet realitetit në shumë pjesë. Propozojmë të
hiqet nga qarkullimi ky roman.
Sekretari i parë i komitetit të partisë të rrethit
Jashar Menzelxhiu
(Vula dhe nënshkrimi)

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Dosja 228, Viti 1973, fl.
5-6.
2. Sipas shënimit të pranimit në protokoll, letra i është dhënë
për përgjegjësi drejtorisë së edukimit.
3. Mban nënshkrimin e R. Alisë, më 12.5.1973 dhe shënimin:
“Për sh. Enver dhe sh. Hysni”.
4. Ka nënshkrimin e Hysni Kapos dhe shënimin “U pa,
9.5.1973“.
5. Shërbimi i sekretarisë ka shënuar: “E pa sh. Enver,
18.5.1973”.
6. Arkivuar më 25.5.1973, pa ndonjë porosi apo urdhër.

__________
1. Përmbajtja e kësaj letre është bërë pjesërisht e njohur nëpërmjet
kujtimeve të E. Hoxhës, i cili ka përmendur përmbajtjen e një bisede
me autorin e letrës gjatë një vizite në Elbasan. Në kujtimet e tij E.
Hoxha është shprehur se shqetësimit të komunistëve të Elbasanit u
është përgjigjur se vepra është në përgjithësi e mirë dhe se
shkrimtari do të reflektojë për vërejtjet që i janë bërë.
2. Ankimi për “luftën e brezave” është i vjetër, qysh prej fillimit të
viteve 1960, kur shkrimtarët e rinj dhe ata të brezit të luftës
antifashiste hynë në një konflikt të ashpër për probleme të
shqetësimeve, përmbajtjes dhe sidomos të teknikave të letërsisë.

DOKUMENTI NR. 8:

“Sikur të kishit durimin e një folkloristi e të
studionit edhe këngët e Veriut të Shqipërisë,
ata kangë që këndohen nën mrize e afër
gurrave, do të shihnit se sa hove e sa zbulime
shpirtërore e frymëzime do të gjenit për novela
që mund të shkruani nesër me subjekt
shqiptar“.

E tash të më lejohet t’i drejtoj zotit Artan Iliri disa pyetje1:
Duke kënduar artikullin tuaj, zoti Iliri, me të cilin kritikoni Ismail
Kadarenë, arrita në copën ku ju i thoni Kadaresë si po e sjell këtu:
“Sikur të kishit durimin e një folkloristi e të studionit edhe këngët
e Veriut të Shqipërisë, ata kangë (na e bëni edhe këngën në gjini
mashkullore, dhe bravo ju qoftë, pse gjuha shqipe ka pak emra të
gjinisë mashkullore, vërejtja ime) që këndohen nën mrize e afër
gurrave, në bjeshkët e rrethuara me kunora malesh, mbuluar me
borë të bardhë, e jo të thinjtë /të thinjur/, siç thoni ju në një të
ashtuquajtur poezi tuajën, do të shihnit se sa hove e sa zbulime
shpirtërore e frymëzime do të gjenit për novela që mund të
shkruani nesër me subjekt shqiptar“2.
Ju them të vërtetën, fillova të meditoja, duke ju drejtuar juve
pyetjet se si shpjegohet ky fenomen, që në atë Shqipëri me gjithë
ato bukurira: mrize, gurra, bjeshkë të rrethuara me kurora
malesh të mbuluar me borë të bardhë - natyrisht se në Jug ka dhe
borë “të thinjët“ - e di vetë se fantazia juaj shkrihet ta
përshkruajë Shqipërinë parajsë mbi tokë - ju pyes, pra, si
shpjegohet që dje, pardje e deri përgjatë okupacionit turk ishit aq
besnikë ndaj Turqisë; megjithëse ishit të krishterë u bëtë
pashallarë3.

1. Gjendet në: AQSH, F. 14/AP, L. 30, D. 1096, V. 1974, fl. 4.
2. Në shënimin e sektorit të letrave është përgatitur ky shënim
për njoftim R. Alisë: “Xhelal Staravecka, Paris, Francë. Së pari
kritikon një të quajtur “Iliri“, i cili ka shkruar një artikull duke
mburrur Fishtën. Thotë (Staravecka) se edhe ai, Fishta, ka
qenë në shërbim të okupatorit fashist. Së dyti, në kritikën që
ky “Ilir“ i bën Ismail Kadaresë duke e akuzuar se ai nuk ka
marrë në konsideratë “këngën e veriut“, Xhelali i thotë këtij
Ilirit mos u mburr me veriun sepse, sipas tij, janë ata, gegët,
që gjatë okupacionit italian u bënë milicë dhe shkuan e
shkretuan popullsinë e jugut për llogari të okupatorit“.
3. Në përmbledhësen e letrës gjendet shënimi me shkrim dore
“shokut R. Alia“, si dhe nënshkrimi i këtij të fundit, pa koment,
më 4.1.1974.
4. Në kartelën e posaçme të letrës theksohet edhe një herë
kritika që Xhelal Staravecka i bën “Artan Ilirit“ për
mosvëmendje të pamerituar ndaj poezisë së veriut, ciklit të
kreshnikëve.

__________
1. Fragment nga shkrimi i Xhelal Staraveckës “Bisedim me
shqiptarët e mërgimit - zoti nga ruajtë nga penda e dishepullit të
Tajar Zavalanit”. Ky shkrim i është drejtuar një personi të
identifikuar me emrin “Artan Iliri”, i cili, me sa duket, është një
pseudonim. Një kopje e shkrimit i është dërguar E. Hoxhës. Në
përmbajtjen e këtij shkrimi ka një numër të madh problemesh, midis
të cilëve një vend më vete zë debati për mosinteresimin e I.
Kadaresë për letërsinë dhe traditat veriore. Pikëpamjet e “Artan
Ilirit”, i cili, sikurse del nga letra e Xh. Staraveckës, janë
krahinoriste. Eshtë interesante të vërehet se krijimtaria e I.
Kadaresë ndiqet me një vëmendje të përgjithshme jo vetëm nga
udhëheqja ideologjike dhe nëpunësia e saj brenda vendit, por edhe
nga veprimtarë të “kampit armik“, nga ish-kolaboracionistë, madje
edhe nga grupime të mërgatës në konflikt me njëri-tjetrin.
2. Mbulimi totalitar i letërsisë së I. Kadaresë vërehet edhe në faktin
që vështirë se mund të merret rastësor dhe po aq vështirë të jetë
përsëritur për ndonjë shkrimtar tjetër: Pikërisht për atë mungesë që
e qorton Kadarenë “Artan Iliri“ më 1974, tre vjet më vonë do ta
vlerësojë lart vetë E. Hoxha, pasi Kadare e kishte botuar tashmë
studimin për këngët e kreshnikëve. Një përputhje qendrimesh prej
dy skajimeve më të largëta të mundshme! Në një dokument që ruhet
në: AQSH, Fondi 14/AP, Lista 1, Dosja 40, Viti 1979, fl. 18-24,
titulluar “Mbi artikullin e botuar në gazetën “Drita” “Mbi eposin e
kreshnikëve” të shkrimtarit Ismail Kadareja më datën 4 dhe 11 të
këtij muaji”, që përfaqëson një procesverbal të takimit të
sekretariatit të komitetit qendror që është mbajtur më 13 shkurt
1979, E. Hoxha shprehet: “Materiali që kishte shkruar Ismail
Kadareja për eposin e kreshnikëve është një studim i mirë. Mendimi
im është se ky autor është njeri i zoti jo vetëm si romancier e poet,
por edhe si studiues. Edhe romanet e tij kanë rëndësi të madhe, si
nga brendia, se kanë shumë mendime, por ato janë shumë tërheqëse
edhe nga forma e stili. Shkrimi i Ismailit mbi eposin e kreshnikëve,
që, sipas mendimit tim, është një studim shkencor, më duket i
rëndësishëm. Kadareja ka kapur një kënd të këtij thesari të madh, e
duhet thënë se e ka kapur bukur, jo bukur thjesht në të shkruar, por
bukur në kuptimin e zhvillimit materialist të problemit, duke e
konfrontuar me studimet e huaja që janë bërë pro dhe kundër epikës
sonë. Ismail Kadareja në studimin e tij ka vërtetuar autenticitetin e
eposit tonë, të provuar edhe nga dijetarë të huaj, nga të cilët ai
citon vazhdimisht Lambercin. Aty del qartë se albanologu i vjetër
Maksimilian Lamberc kësaj çështjeje i ka hyrë mirë. Kadareja e
nxjerr shumë pozitiv këtë autor. Kadareja, duke u mbështetur edhe
në studimet e kryera nga këta albanologë, në përmbajtjen e eposit,
në të dhënat historike të dyndjeve, të prejardhjeve të popujve, në
karakteristikat e njërit epos dhe të tjetrit, në periudha kohe të
caktuara, e nxjerr eposin tonë jo vetëm më të bukur, por edhe
shumë më të vjetër nga ai i sllavëve dhe i boshnjakëve. Eposi ynë i
kreshnikëve ekzistonte që përpara se të vinin sllavët në Ballkan dhe
për këtë ai jep arsye shumë të forta, duke bërë krahasimin e duke
nxjerrë ndryshimet midis dy eposeve. Kadareja tregon edhe për
ç’arsye kënga jonë zonë të sajën ka malësitë e thella, bjeshkët. Ajo
nuk u këndua asnjëherë tek ne në kafene ose në xhami, siç ka
ndodhur me epikën boshnjake. E pastaj na mburren boshnjakët e na
thonë se ne kemi tri mijë e kushedi sa këngë epike, kurse ne,
shqiptarët, paskemi vetëm një mijë. Kadareja në këtë studim bën një
vërtetim shkencor mbi lashtësinë e eposit tonë, duke bërë
krahasimin e brendisë së dy eposeve. Ai me të drejtë thekson se
duhet t’i futemi thellë këtij problemi, mbrojtjes së autorësisë
shqiptare të eposit të kreshnikëve. Në asnjë mënyrë, thotë Kadareja,
këtë nuk do ta bëjmë as për shovinizëm shqiptaromadh, as për
mendjemadhësi nacionaliste, por për të vërtetën. Ka meritat e saj,
thotë ky autor, edhe epika e sllavëve, e boshnjakëve, e, natyrisht, të
dyja palët kemi huazuar nga njëri-tjetri, por, që të pranojmë se epika
jonë ka lindur në shekullin e 17-të, thotë ai, është e pamundur.
Eshtë evident fakti që ne kemi poemat e arbëreshëve të Italisë, të
ikur në shekullin e 15-të, të cilët e ruajtën një pjesë të epikës sonë,
gjë që tregon se ky cikël ka pasë qenë formuar qysh në atë shekull.
Kadareja u bën një kritikë të mirë edhe disa studiuesve tanë këtu, pa
ua zënë emrin në gojë, dhe kritika që u bën ai është e drejtë”.
3. Kur në fillim të viteve 1980 Kadare botoi novelën “Një dosje për
Homerin“ (më pas “Dosja H“), me të njëjtën lëndë dhe të njëjtat
motive, qendrimi politik ndryshoi rrënjësisht në të kundërtën.
Ndërsa novela kritikohej zyrtarisht për largim nga aktualiteti, në
“pjesën e nëndheshme“ të shoqërisë përmbajtja e saj lexohej
kështu: “Dy studiues të huaj, irlandezo-amerikanë, vijnë në Shqipëri
të mbledhin eposin tonë, copat e tij, që akoma ziejnë, krijohen e
humbin. Edhe pse, si shkruan autori, ata duket sikur erdhën për të
zbuluar këtu enigmën e Homerit, mua më duket se ata (Perëndimi)
duan të ribëjnë shpirtin tonë. Por këtu gjejnë injorancë dhe ...
spiunë. Një i marrë mashtrohet (nga sllavët) dhe u sulet dy
mbledhësve të folklorit me hekur në dorë, u bie kokës, i gjymton dhe
u shkatërron magnetofonin e saposhpikur, i madh sa një sëndyq.
Aty, aty është ndryrë eposi ... e më shumë se aq. Ky i marrë, sipas
meje, është prekursori i diktatorit tonë, që, me hekur në dorë, të
dhënë nga sllavët, vret shpirtin e popullit të vet“ (V. Zhiti, “Rrugët e
ferrit“, Tiranë 2001, f. 340).

DOKUMENTI NR. 9:

“Disa shtesa që i janë bërë romanit “Dimri i
vetmisë së madhe” e lënë të hapur hendekun që
ekziston midis veprimeve të udhëheqjes së
partisë dhe njëfarë pasiviteti të masave. Kanë
mbetur të pandryshuara ekzagjerimet në lidhje
me lëkundjet dhe filorusizmin e intelektualëve,
mjaft skena licensioze, toni ironik për realizmin
socialist. Nuk është arritur shkalla e duhur e
ripunimit për t’u ribotuar”.

Mendime për ndryshimet në romanin e I. Kadaresë
“Dimri i vetmisë së madhe”1

Pas leximit që i bëmë variantit të ripunuar të romanit në fjalë dhe
pas diskutimit bashkërisht të ndryshimeve arritëm në
konkluzionin se në tërësinë e vet romani i ripunuar ndryshon pak
nga varianti i parë. Pra, edhe pas rileximit përshtypjet rreth
vlerave pozitive e anëve negative të veprës mbeten po ato të
parat2.
Më konkretisht:
I. Nga të gjitha shtojcat ato që me të vërtetë i shtojnë diçka
veprës janë:
1. Krijimi i dy personazheve të rinj, por pa zhvillim të madh: i
malësorit Nik Ukcama dhe i Diana Krasniqit, me anën e të cilëve
autori thekson e forcon idenë e patriotizmit, të qendrueshmërisë
së popullit tonë, të përballimit të rrebesheve që janë përplasur
mbi të gjatë shekujve, të gatishmërisë për mbrojtjen e atdheut.
Diana Krasniqi në një farë shkalle i kundërvihet indirekt Zanës
dhe Ana Kondakçiut.
2. Disa shtesa me anën e të cilave forcohet ideja e gatshmërisë
së brezit që bëri luftën nacionalçlirimtare për të përballuar
situatat e reja që e kërcënojnë vendin, duke paraqitur kështu në
një farë mase edhe idenë e unitetit të popullit me partinë.
3. Një episode ku përshkruhet përcjellja e delegacionit të partisë
nga studentët e Moskës, nëpërmjet të cilit jepet ideja e unitetit të
rinisë rreth vijës së partisë. Nëpërmjet këtij episodi synohet t’i
kundërvihet linjës së të rinjve të rrugës së Dibrës.
4. Disa shtesa në vende të ndryshme, nëpërmjet të cilave del se
si klasat dhe shtresat e ndryshme përcaktojnë qendrimin e tyre
ndaj ngjarjeve që po zhvillohen. Nëpërmjet këtyre shtesave
forcohet ideja e karakterit të thellë klasor të luftës midis nesh dhe
revizionizmit modern nga njëra anë dhe klasave të përmbysura
nga ana tjetër, të cilat bëhen objektivisht aleate të revizionistëve
sovjetikë.
5. Një skenë ku përshkruhet Besniku në mes të punëtorëve të
fonderisë së uzinës, duke folur për “ngjarjet e Moskës”, për
bisedën e tij me aviatorin sovjetik. Nëpërmjet saj synohet, dhe
deri-diku i arrihet qëllimit, për të dhënë idenë e mbështetjes së
vijës së partisë nga klasa punëtore.
II. Veç këtyre romanit i janë bërë edhe mjaft korregjime të tjera,
të cilat, sigurisht, diçka ndryshojnë, por janë shtesa të vogla,
retushe e detaje të atilla që nuk ngrenë peshë dhe nuk zhdukin
dobësitë e veprës3. Kështu, p.sh., në disa fraza e paragrafe aty-
këtu bëhen përpjekje për të dhënë idenë e luftës së partisë në dy
krahë, si kundër liberalizmit ashtu dhe kundër konservatorizmit.
Nëpërmjet përshkrimit të një demonstrate masive përpiqet të
krijohet një ambient masiv revolucionar në mbështetje të vijës së
komitetit qendror të partisë; përmendet disa herë se rinia po hap
toka të reja; është krijuar një personazh i ri pozitiv, një skulptor, i
cili e koncepton drejt situatën e vështirë, por heroike të vendit,
dhe është për një art militant në shërbim të popullit e të
revolucionit. Nëpërmjet këtij (personazhi) autori përpiqet të
balancojë paraqitjen çoroditëse të rretheve artistike në
ekspozitën e arteve dhe në bisedat familjare. Jepen disa detaje
mbi marrëdhëniet e Besnikut me të atin, me anë të të cilave
synohet të jepet ideja e unitetit të brezave. Flitet me pak rreshta
edhe për mbështetjen e partisë sonë nga lëvizja komuniste
botërore, për të nxjerrë idenë e karakterit ndërkombëtar të luftës
së partisë sonë. Por këto e disa shtojca të tjera nuk janë të
arritura. Të lihet përshtypja sikur autori nuk i ka zhvilluar këto
episode e ngjarje për të ruajtur të paprekur strukturën e veprës.
Dhe në fakt të gjitha ndryshimet janë brenda koncepteve
fillestare të autorit, brenda kuadrit të strukturës së parë të
romanit.
III. Kanë mbetur pa ndryshuar:
1. Linja Besnik-Zana, që, siç dihet, është një nga linjat kryesore të
romanit. Besniku, figura e të cilit përshkon gjithë romanin,
mbetet siç ka qenë. Siç dihet, në përshkrimin e kësaj figure ka
mjaft momente të mira. Por ai pas kthimit nga Moska mbetet siç
ka qenë në variantin e pare: një tip letrar i lëkundur, i
pavendosur, i mbyllur dhe i ftohtë si ndaj ngjarjeve, ashtu dhe në
marrëdhëniet e tij shoqërore. Bashkë me dobësitë e karakterit të
tij mbetet edhe ideja e gabuar se përçarja e madhe solli edhe
përçarjen familjare, që i vjen ndesh realitetit tonë, d.m.th.
forcimit të unitetit të popullit rreth partisë, që ishte karakteristika
themelore, tipike e kohës. Ky qendrim i Besnikut pas kthimit nga
Moska nuk justifikohet aspak. Logjika e zhvillimit të personazhit
kërkonte që pas kthimit nga Moska ai të hidhej në një veprimtari
të gjerë dhe të bëhej përfaqësues i denjë i tipit të komunistit
militant4. Nuk e ndryshojnë tipin e Besnikut disa shtesa e retushe
të vogla, siç janë takimi i tij me punëtorët e fonderisë, biseda me
të atin, ku i tregon për ngjarjet në Moskë e ndonjë tjetër.
Marrëdhëniet e Besnikut me Zanën mbeten si në variantin e parë.
S’është fjala për të dhënë receta, por nuk krijohet bindja për këto
marrëdhënie. Keqkuptimi lind mbi një bazë shumë të dobët, mbi
një rastësi, dhe mund të shmangej lehtë po të vepronte ndaj
Zanës siç veproi me punëtorët në fonderi ose me të atin. Edhe
meskiniteti i Zanës dhe i nënës së saj, që jepet si shkak i prishjes
së marrëdhënieve, nuk është i thelluar, mbetet i pamotivuar.
2. Nuk është marrë si duhet parasysh nga autori as vërejtja tjetër
me rëndësi, për të përshkruar më gjerë veprimtarinë e masave
në mbështetje të vijës së partisë, të unitetit parti-popull, në
përgjigje të bllokadës ushtarake të revizionistëve. Siç thamë më
sipër, ka bërë disa shtesa, por ato nuk e ndryshojnë gjendjen dhe
e lënë të hapur hendekun që ekziston midis veprimeve të
udhëheqjes së partisë dhe njëfarë pasiviteti të masave. Kështu që
mbetet dobësia që kish edhe varianti i parë lidhur me ndërthurjen
e ngjarjeve në një ambient shoqëror revolucionar, ku të dilte me
qartësi qendresa, uniteti, vendosmëria, guximi dhe besimi në
fitore i komunistëve dhe masave të popullit në atë kohë.
3. Edhe linja e të rinjve të rrugës së Dibrës të lë përgjithësisht
përshtypjet e variantit të parë, me gjithë diferencimin që i bëhet
Benit dhe përpjekjeve për t’i justifikuar sjelljet dhe konceptet e
tyre mbi jetën dhe dashurinë me ndikimet revizioniste të jashtme.
Linja nuk i shton asgjë veprës, përkundrazi, e dëmton, sepse
dobëson shtratin shoqëror dhe nuk i përgjigjet realitetit në atë
shkallë që përshkruhet në roman5.
4. Ka mbetur përsëri theksimi i njëanshëm i fenomenit të
burokratizmit dhe konservatorizmit brenda e jashtë partisë,
ekzagjerimi lidhur me ndarjen e komunistëve në “ne“ dhe “ata“,
në “të besuar“ dhe “të pabesuar“; disa nota të zymta e
denigruese në përshkrimin e disa personazheve (si p.sh. të
partizanit epileptik, të kryetarit të shtabit të përmbytjes etj. etj.).
5. Gjithashtu kanë mbetur të pandryshuara ekzagjerimet në lidhje
me lëkundjet dhe filorusizmin e intelektualëve, mjaft skena
licensioze, aludime për disa shkrimtarë e kritikë realë, toni ironik
për realizmin socialist, si dhe mjaft shprehje nëpër faqe të
romanit, që krijojnë keqkuptime e keqinterpretime.
Të gjitha këto të marra së bashku dëmtojnë realizmin e veprës
dhe dobësojnë bazamentin shoqëror mbi të cilin do të mbështetej
ideja e madhe, ideja qendrore e veprës: lufta e partisë sonë
kundër revizionistëve sovjetikë, realizuar me mjeshtëri artistike.
Përfundimisht mendojmë se nuk është arritur shkalla e duhur e
ripunimit për t’u ribotuar. Do të jetë e nevojshme të vazhdohet
puna me durim me autorin për ta bindur për dobësitë e veprës.
Ndryshimet dhe shtesat për të cilat folëm në fillim na bindin se
Ismail Kadareja, me aftësitë, talentin dhe mjeshtërinë e tij, ka
mundësi të ndreqë të metat e romanit dhe ta shndërrojë atë në
një vepër plotësisht militante6.
Pirro Kondi, Foto Çami, Hamit Beqja, Pipi Mitrojorgji7
Tiranë, më 31.3.1974.

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1976, D. 552, fl. 1-4.
2. Nuk përmban asnjë shënim të ndonjë autoriteti partiak.
3. Në fletë-kontrollin që shoqëron dosjen, risistemuar në vitin
1985, gjendet ky shënim: “Gjatë sistemimit nuk u gjetën 3
fletët e para ku flitet për mendime mbi librin “Dimri i vetmisë
së madhe” të Ismail Kadaresë”.

__________
1. Ky relacion nuk ka adresë kujt i është drejtuar. Duke qenë se
është nënshkruar nga tre ish-anëtarë të komitetit qendror mund të
përfytyrohet se është hartuar për instanca më të larta. Titulli është i
vetë dokumentit.
2. Duket se vepra është vlerësuar edhe herë tjetër, mbase nga të
njëjtët autorë, të cilët rikonfirmojnë qendrimin e tyre të mëparshëm.
Nga ky relacion mund të konkludohet se për këtë roman vendimi i
botimit nuk ishte në dorën e shtëpisë botuese dhe nuk është marrë
prej saj.
3. Kjo pjesë e relacionit është botuar në të përditshmen “Korrieri”.
4. Pas viteve 1990, përkundrazi, Kadare është qortuar se tek
Besniku krijoi “çinovnnik-un“ tipik komunist!
5. Në fakt, disa “shtesa” të tilla nuk janë bërë pjesë e romanit në
variantin e ripunuar, nëse krahasohet pjesa e dorëshkrimit që ruhet
në AQSH me botimin.
6. Ky relacion, në të cilin përfundohet se vepra e ripunuar nuk është
e gatshme për ribotim, kronologjikisht është hartuar pasi vetë E.
Hoxha ishte shprehur se romani përfaqësonte një vepër të mirë.
7. Mungojnë nënshkrimet e autorëve.

DOKUMENTI NR. 10:

“Ne nuk mund ta botojmë këtë poezi edhe për
arsye se partia akoma nuk ka dalë publikisht në
shtyp kundër komplotistëve politikë e
ekonomikë, as në “Zëri i popullit“ dhe as në
organe të tjera”.

Shoku Pirro1,
Po të dërgoj një vjershë të I. Kadaresë. Unë e lexova. Kam këto
vërejtje:
1. Eshtë tepër alarmante. Duket sikur ka ndodhur një kob i
madh e një gjëmë e madhe apo një kundërrevolucion dhe
Byroja Politike mblidhet papritur për ta shtypur2.
2. Jepet përshtypja sikur ky kundërrevolucion ka pushtuar
ministritë dhe punëtorët po i rimarrin ato. Dhe partia duket
sikur nuk sundon.
3. Identifikohen komplotistët me burokratët.
4. Në fund, ne nuk mund ta botojmë edhe për arsye se partia
akoma nuk ka dalë publikisht në shtyp kundër
komplotistëve politikë e ekonomikë, as në “Zëri i popullit“
dhe as në organe të tjera3. Edhe redaksia e “Dritës” nuk
mund t’ia botojë. Ishte në shtyp, por u hoq. Poezia ka edhe
një ankth të madh, duket sikur kushedi ç’ka ndodhur!
Me tërheqjen nga shtypi, autori mund të bjerë në konflikt me
redaksinë, mund të bëjë bujë e mund të shajë këtë apo atë! Unë
kështu mendoj. Duro Mustafaj, që sapo erdhi nga shërbimi, e
lexoi dhe e hoqi nga shtypshkronja. Për këtë më informoi dhe ma
dha ta lexoja4.
Lexojeni dhe nëse jeni dakord më njoftoni.
Të fala5,
Dritëroi
16.10.1975

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, O.U., Lista 31, Dosja 363, Viti
1975, fl. 1-2.
2. Dokumenti është në shkrim dore dhe nuk ka asnjë shënim të
ndonjë autoriteti, duke përfshirë marrësin e letrës.

__________
1. Pirro Kondi, anëtar i komitetit qendror.
2. Në gjithë përmbajtjen e letrës autori shprehet me “sikur“. Në
fakt, letra ka karakter thjesht njoftues për heqjen nga shtypi të
poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“. D. Agolli nuk
propozon asnjë iniciativë.
3. Duke e shtruar problemin në këtë formë, që partia ende nuk ka
dalë publikisht për të folur për këto probleme, Agolli përjashton
problemin ideologjik, që doli më vonë, dhe e shtron çështjen thjesht
si “ çështje momenti“.
4. Ishte kryeredaktor i gazetës “Drita“. Në një intervistë dhënë së
përditshmes “Dita“, 27 nëntor 2004, ai është shprehur se kjo poezi u
bë shkas që të dënoheshin njerëz “për dy vargje, që ishin thikë me
dy presa“.
5. Edhe një herë shfaqet thjesht karakteri njoftues dhe jozyrtar i
kësaj letre, pa ndonjë paramendim për zhvillim debatesh të ashpra,
siç ndodhi. Kjo letër përcjell kryesisht shqetësimin se mos Kadare
hyn në konflikt me redaksinë. Kështu ai ka gjetur mënyrën për ta
mbrojtur kolegun e vet edhe duke bërë sikur po e kritikon, si në këtë
rast, që “ka dalë në shtyp para partisë“. Në debatet e mëvonshme
Kadaresë iu shtruan probleme tejet të ndryshme. Sidoqoftë, në këtë
rast dhe sidomos në rastin e gjykimit të “Nëpunësit të pallatit të
ëndrrave“, por edhe të “Koncert në fund të dimrit“, dëshmitë e
shkruara tregojnë se D. Agolli, për rrethana të shpjegueshme, për
shkak të funksionit që ka kryer për një kohë të gjatë në krye të
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të një dyzimi të
pashmangshëm midis rolit të kryetarit dhe fatit të kolegut, disa herë
ka edhe kundërthënie në qendrimet e tij nga letërsisë së Kadaresë.

DOKUMENTI NR. 11:
“Këto janë rezultat i formimit ideologjik të
autorit. Pikëpamjet e tij ideologjike nuk
përputhen me marksizëm-leninizmin. Koncepte
reaksionare të tij janë të huaja dhe pa asnjë
bazë reale për revolucionin tonë. Ato i kemi
dëgjuar në teoritë e Toliatit, që akuzon sistemin
socialist se gjoja pjell deformimet,
burokratizmin, kultin etj. I kemi dëgjuar nga
Gjilasi, e tani nga Garodi. I dëgjojmë përditë nga
propaganda antikomuniste e borgjeze-
reaksionare dhe e revizionizmit. Kadare ka
përqafuar këto ide“.

Lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”
të I. Kadaresë1

E tërë poezia është konceptuar me një frymë armiqësore, kundër-
revolucionare, kundër vijës së Partisë dhe diktaturës së
proletariatit2 në ballë të gjerë.
Që nga kreu deri në fund kjo poezi ka sulme kundër regjimit
socialist; ndërsa komplotistët, kundër të cilëve Kadare pretendon
se drejtohet, as që zihen me gojë.
a. Thelbin e poezisë e përbën mendimi se regjimi socialist është i
krimbur që nga lart e deri poshtë. Në themelet e shtetit e të
shoqërisë sonë Kadare e thotë shprehimisht, “rritet ngadalë
tumor i zi”, i cili e ka përfshirë regjimin tonë.
Nga ana tjetër në poezi i mëshohet idesë se ky regjim është një
regjim burokratik, i cili i ka duart të lyera me gjak.
Pankartat dhe heronjtë e punës, gazetat e telegramet e urimit,
“janë të gjitha blof“. Bile Kadare “revoltohet“ e “proteston“:
“Mjaft me këtë qeshje dashamirëse“, sepse ai i sheh “të
kobshëm, me duar të përgjakura gjer në bërryle“ njerëzit në fuqi.
Por kush janë me duar të përgjakura? Mund të mendohet se ata
janë komplotistët. Po cili nga ata vrau? Ata nuk vranë njeri, bile
ishin për liberalizim. Ka vrarë diktatura e proletariatit armiqtë e
klasës. Pra, me gjakun e armiqve të klasës i ka diktatura të
përgjakura duart. Këtë sulmon Kadare?
“Pashallarët e kuq“, “bosët e naftës“ etj., që përmenden në poezi
nuk ia ndërrojnë adresën sulmit kundër sistemit socialist.
Dihet se Hrushovi e gjithë armiqtë revizionistë e borgjezë na
akuzojnë për regjim stalinian, që mbahet me terror e me gjak.
Poezia i bën jehonë këtij koncepti reaksionar e armiqësor.
b. Kjo lidhet me një tezë antimarkiste, që Kadare e ka si bazë në
këtë poezi: “Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë, por nga themelet.
Këtij ligji i bindet edhe shteti socialist”. Kjo është krejtësisht e
gabuar, është antimarksiste. Historikisht, asnjë shtet i shoqërisë
me klasa nuk është prishur nga themelitë. Përkundrazi, baza e
tyre, klasat shfrytëzuese, prona private, shfrytëzimi i njeriut etj.,
kanë mbetur të paprekura. Kanë ndryshuar superstrukturat e
tyre. Vetëm revolucioni socialist, klasa punëtore, me në krye
partinë e proletariatit, zhduk nga themelet strukturën e
superstrukturën e shtetit borgjez.
Nga ana tjetër, tek ne, nëse është fjala për veprimtarinë e
komplotistëve, siç pretendon Ismaili, këta nuk e rrezikonin
sistemin socialist nga themelitë, por në çati. Në fakt, të gjithë
këta armiq vepronin në superstrukturë. Ky është realiteti dhe
këtë e ka thënë partia. Por Kadare nuk mendon si partia.
Duke theksuar se prishja ka filluar në themelitë, se aty zhvillohet
“tumor i zi”, Ismaili don të thotë se është kalbur partia, baza e
shtetit, prona shoqërore etj.
Edhe këtë kurrë nuk e ka thënë partia. Në raste të veçanta kemi
kritikuar komunistë, organizata-bazë, punonjës, por rastet nuk
mund të merren si përgjithësim. Kurse Ismaili e përgjithëson
çështjen. Ai, në kundërshtim me realitetin e me partinë, afirmon
se themelitë janë krimbur.
Pse ky afirmim armiqësor e reaksionar? Sepse I. Kadareja e
konsideron “ligj të pashmangshëm“ degjenerimin e sistemit
socialist. Dhe kjo nuk është e para herë që Ismaili shprehet
kështu në krijimtarinë e vet. Edhe në “Dimri i vetmisë së madhe“
duken shfaqje të këtij koncepti reaksionar. Aty shkruan:
“Revolucioni ha bijtë e vet“, ose e paraqet luftën midis të aftëve
dhe të paaftëve, ku fitojnë këta të fundit, si karakteristikë të
shoqërisë sonë.
Akoma më qartë ky koncept shprehet në “Nëntori i një
kryeqyteti“, ku, me anën e një personazhi (të plakës), thuhet:
“Eshtë në natyrën e njeriut që të ketë zotërinjtë e vet. Edhe
këtyre do t’u lindë dëshira, e aherë do të vijë fundi i tyre“.
Natyrisht këto koncepte reaksionare janë të huaja dhe pa asnjë
bazë reale për revolucionin tonë. Ato i kemi dëgjuar në teoritë e
Toliatit, që akuzon sistemin socialist se gjoja pjell deformimet,
burokratizmin, kultin etj. I kemi dëgjuar nga Gjilasi, e tani nga
Garodi. I dëgjojmë përditë nga propaganda antikomuniste e
borgjeze-reaksionare dhe e revizionizmit. Kadare ka përqafuar
këto poezi të huaja ideologjike.
Kurse vija e partisë është tjetër. Degjenerimi revizionist nuk është
një fatalitet. Ai mund të evitohet. Gjithashtu burokratizmi mund
të luftohet me sukses. Dhe në fakt partia jonë ka marrë e merr
gjithato masa revolucionarizuese, që kanë për qëllim të mbyllin
shtigjet e revizionizmit dhe të bëjnë zap burokratizmin. Por
Kadare nuk e sheh këtë luftë. Prandaj në tërë poezinë nuk
shkruan se çfarë bën kjo parti, a lufton, a ekziston. Për të asgjë
nuk ekziston. Burokratizmi është zot, vepron lirshëm, “sepse
topat s’pijnë ujë / dhe konsuj atje s’ka“, shkruan Kadare. Bile
shton se, të qetë, “në kortezh të zymtë çojnë tabutin e
revolucionit deri në varr“.
Në poezinë e Ismailit ka një denigrim total dhe sfidë për partinë.
Ai pretendon se, që të luftohet burokratizmi, duhet të kemi
konsuj! Pse kërkon që të kemi konsuj?! Ne kemi mijëra e dhjetëra
mijëra komunistë, kemi partinë, masat që vigjilojnë, që luftojnë
përditë dhe i presin rrugën burokratizmit. Por ai këto nuk i sheh.
Këta nuk i hyjnë në sy, por kërkon konsuj!
Ç’do të thotë Kadare me këtë? Mos vallë do të thotë se
superstruktura është një falsitet, që mbulon dhe falsitetin e
structures, atë “tumorin e zi” që “e çon revolucionin në varr”?
Tjetër kuptim nuk mund t’u japim këtyre gjërave!
c. Në vjershë në ballë gjithë politika e partisë. Partia flet për
rrezikun imperialisto-revizionist, për rreziqet e tij dhe nevojën e
vigjilencës, për ruajtjen e kufijve etj., ndërsa Kadare, në poezinë e
tij, thotë se “kudo ka qetësi”, në jug e në veri. Jo vetëm kaq, por
edhe nga jashtë armiqtë nuk veprojnë me presionin e tyre, sepse
ambasadorët e konsujt kështu na thonë.
Pra, konkluzioni tjetër që del nga poezia është ky: S’janë gjë këto
që thotë partia për presionin, agresionin ideologjik dhe
vigjilencën. Sipas tij këto janë gjepura. Jo vetëm rrethimi i
jashtëm, por edhe klasat e shtypura (të cilat Ismaili i quan
“kasta”?!), nuk paraqesin rrezik, sepse dimërojnë (Ndoshta në
pranverë do të ngrihen?).
Në të gjithë poezinë injorohet plotësisht partia, sepse fryma e
vërtetë e poezisë është kundër partisë dhe udhëheqjes.
I. Kadare, kur thotë se “shtetet nuk prishen nga çatitë”, ose, kur
poezinë e titullon “Në mesditë u mblodh Byroja Politike”, duket
sikur don të thotë se nuk e atakon vijën e partisë. Por kush është
përgjegjëse për tërë gjendjen aq të krimbur, aq të kobshme, aq
false në fasadë, sikurse e paraqet Kadare? Aty këto nuk thuhen,
por çdo gjë del e qartë: përgjegjëse është partia!
Kadare përmend figurën e shokut Enver dhe këtë e bën për të
treguar se këto nuk kanë të bëjnë me udhëheqësin e partisë. Por
si e paraqet këtë?
Së pari, ai del pa partinë, pa udhëheqjen, ai vetë bën çdo gjë,
sepse ai zbret në themele, ai bubullon dhe i bën thirrje klasës
punëtore.
Së dyti, pse ai bubullon si një mal?
Në poezi paraqitet se ai vetë bën çdo gjë, vendos vetë për çdo
gjë, pra, kështu paraqitet si kult i tij. Kadare ka një koncept
shumë të gabuar për partinë dhe udhëheqjen e saj. Këto janë
koncepte të të tjerëve, të të huajve.
Së treti, krahasimi me Krishtin është gjithashtu krejt i gabuar dhe
del jashtë çdo logjike. Nuk është Krishti që zboi farisjetë, por këta
e dëbuan atë. Filozofia e Krishtit predikon që kur të bien nga
njëra faqe, ktheju tjetrën. Dhe shoku Enver, sipas Kadaresë, nuk
ka se ç’bën tjetër, veçse të ngrejë kontrollin punëtor. Po diktatura
e proletariatit ku është?
Kadare nuk ka koncepte marksiste-leniniste për diktaturën e
proletariatit. Ajo është dhunë, kërbaç e plumb mbi armiqtë e
klasës. Jo gjak mbi popull!
Së katërti, në fakt, pra, edhe figura e shokut Enver atakohet,
sepse “i pari e pa“. Por atëherë lind pyetja pse nuk i pa më parë?
Pse i lejoi?
Si përfundim të të gjitha këtyre: poezia është armiqësore e
kundër-revolucionare. Ajo duket sikur u drejtohet armiqve të
brendshëm, sidomos atyre të jashtëm, por u drejtohet për t’u
thënë se këtu çdo gjë është e kalbur, lart e poshtë, se regjimi
mbahet më këmbë me gjak.
Jo vetëm në këtë poezi, por edhe në shkrime të tjera, vihet re një
prirje e Kadaresë që të kënaqë lexuesin e jashtëm, sikur shkruan
për të huajt!
Një kritikë e tillë është bërë publikisht, por Kadare nuk ia ka vënë
veshin.
Në romanin “Dimri i vetmisë së madhe“, që ishte një vepër epike,
ku në qendër të vëmendjes ishte lufta heroike e partisë sonë dhe
e shokut Enver kundër revizionizmit, çfarë nuk futi: edhe
prostitutat, edhe seksin, edhe pijet, edhe skenat makabre, edhe
degjenerimin ala broduej etj. Kujt i duheshin ato? Lexuesit
shqiptar? Eshtë e qartë se ishin vetëm për lexuesin dhe editorin e
huaj.
Edhe romani i fundit, “Nëntori i një kryeqyteti”, ka mjaft gjëra që
janë jehonë e mënyrave të të shkruarit të të tjerëve, që mund t’i
pëlqejnë kujtdo, por jo publikut tonë. Kujtoni skenat makabre:
vrasjen e komisarit në barrikadë, koka që hidhet në atë anë,
gjymtyrë që fluturojnë, dorën që varet e që bëhet si lajtmotiv etj;
kurvëritë e shkrimtarit apo të spikeres së radios.
Këto janë koncesione që i bëhen ideologjisë borgjeze e
revizioniste. Janë huazime nga një letërsi dekadente e
reaksionare. Kij kujdes: po shkrove që t’u pëlqesh të huajve, dije
se patjetër do të largohesh nga pozitat e shkrimtarit komunist. Në
ideologji nuk ka shartim.
Nuk është hera e parë që Kadare gabon. Kujtoni “Përbindëshin“,
variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“, të
metat e romanit “Dimri i vetmisë së madhe“. Këto janë rezultat i
formimit ideologjik të autorit. Pikëpamjet e tua ideologjike nuk
përputhen me marksizëm-leninizmin. Ti, Kadare, marksizëm-
leninizmin dhe mësimet e partisë i konsideron dogma, që mund
të vihen sa për citim, por nuk thellohesh në to. Tek ti kanë zënë
rrënjë shumë koncepte të huaja, që vijnë nga bagazhi i
propagandës së huaj borgjezo-revizioniste, bile drejtpërdrejt
antimarksiste.
Kur ndokush, qoftë ky politikan apo krijues, shkrimtar apo artist,
bie në kundërshtim me vijën e partisë, me interesat e
revolucionit, ne, po të jetë nevoja, do t’i vëmë fre.
Ti, Kadare, je anëtar partie, por ti nuk e kupton disiplinën e
partisë. Vendose të dalësh me këtë poezi si zëdhënës i komitetit
qendror. Por a mendove: pse partia nuk ka dalë hapur? Partisë i
intereson që gjithë populli të dijë se çfarë kanë bërë komplotistët
dhe cilët janë këta. Dhe për këtë, në rrugë të ndryshme, i madh e
i vogël është vënë në dijeni. Por partia nuk shkel në dërrasë të
kalbur, që t’u japë material fashistëve, reaksionarëve, borgjezëve
e revizionistëve, për të ngritur fushata shpifëse kundër vendit e
partisë sonë, sikurse përpiqen të bëjnë kur mësojnë ndonjë gjë të
vogël. Tani nuk flasin se nuk kanë dokumente. Kurse ne për
armiqtë komplotistë do të flasim kur të duhet. Kurse Kadare
shkruan e ngul këmbë të botojë pa u këshilluar me askënd, pa
pyetur askënd. Disiplinë partie është kjo? Jo, kjo është sensacion!
Kritika është e rëndë, e rreptë, por faji i Kadaresë është shumë i
rëndë. Ai sulmon partinë, rendin socialist, diktaturën e
proletariatit3.

1. AQSH, F. 14/AP, V. 1975, D. 363, fl. 7-15.
2. Nuk ka shënime të vërtetimit të procesverbalit nga ndonjë
prej pjesëmarrësve të mbledhjes.
__________
1. Kjo mbledhje u zhvillua në aparatin e komitetit qendror të PPSH,
më 25.10.1975. Në mbledhje u thirr shkrimtari I. Kadare për të bërë
autokritikë. Mbledhja u drejtua nga R. Alia, sekretar i komitetit
qendror për ideologjinë. Morën pjesë funksionarë të aparatit të
komitetit qendror të PPSH, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve,
të redaksisë së gazetës “Drita”. Ndër të tjerë: D. Agolli, A. Kondo, D.
Mustafaj, P. Kondi, Ç. Rusmali, J. Mato, G. Koçi. Duhet të jetë jetë
zhvilluar gjithashtu një mbledhje e dytë, por për këtë nuk janë
shënuar pjesëmarrësit, data dhe as diskutuesit. Kjo mbledhje
dëshmohet përmes një procesverbali të gjatë (12 faqe) që mban
emrin e A. Kondos, i cili në atë kohë kishte funksione drejtuese për
letërsinë dhe artet. Një procesverbal i tretë mban titullin “Mbi
gabimet e I. Kadaresë në vjershën “Mbledhja e Byrosë Politike në
mesditë” dhe të tjera”, edhe ky pa datë dhe pa emrat e
pjesëmarrësve. Të tre këto procesverbale, duke përfshirë
autokritikën e I. Kadaresë, e cila ruhet në dy forma, si tekst i
zbardhur nga diskutimi dhe si tekst i përgatitur me shkrim, përbëjnë
disa prej dëshmive më kritike të vigjilencës politike mbi veprën e
shkrimtarit. Në verbal mungojnë ndarjet e tekstit sipas folësve.
Verbali është ruajtur edhe me shkrim dore. Procesverbali që mban
nënshkrimin e A. Kondos është me të njëjtën përmbajtje, por më i
përpunuar gjuhësisht. Nga nëntitulli “Mësimet që duhet të nxjerrim
ne si komunistë të organizatës-bazë të Lidhjes me këtë rast” mund
të nënkuptohet se teksti i është paraqitur për informim e diskutim
kësaj organizate. Por ky dokument duket gjithashtu dhe si
procesverbal i vetë mbledhjes. Dokumenti i mësipërm gjendet në:
AQSH, F. 14/AP, V. 1975, D. 363, fl. 37-49. Rezulton se organizata e
partisë e ndëshkoi I. Kadarenë me “vërejtje të rëndë në kartën e
regjistrimit dhe paralajmërim për përjashtim nga partia“. Masa u
morën edhe ndaj A. Myftiut dhe ndonjë tjetri, qoftë për solidarizim
në heshtje me qendrimin e Kadaresë, qoftë për mungesë të frymës
kritike.
2. Ky fragment është botuar në të përditshmen “Korrieri” dhe në të
përditshmen “Zëri”, Prishtinë dhjetor 2004.
3. Pjesa e fundme, që nuk ka lidhje me poezinë, nuk përfshihet në
botim.

DOKUMENTI NR. 12:

“Gabimi i Kadaresë është më i rëndi nga gjithë
gabimet që kanë ndodhur deri më sot. Me këtë
vjershë ka goditur në ballë vijën e partisë.
Diktaturën e proletariatit ai e nxjerr gjakatare.
Shpreh mendimin se shteti socialist i
nënshtrohet të njëjtit ligj si shteti borgjez:
zhduket nga themelet. I ka fajet sistemi, sistemi
nxjerr burokratizmin e terrorin. Ky mendim të
shpie te mendimi i Titos. Në unitetin parti-
popull-udhëheqje I. Kadare ka përkuar me idenë
famëkeqe të Gjilasit “novij kllas”: pashallarët e
kuq në partinë tonë”.

Procesverbal Leximi i një
dërguar Teksti autentik i autorit 2
prej
komitetit shkrimtarëve
qendror të të dënuar me
partisë së burg
punës1
Titulli në kritikën Titulli i vënë nga autori: Titulli i vënë nga
e partisë: “Në mesditë Byroja Politike u të burgosurit:
“Pashallarët e mblodh” “Pashallarët e
kuq” kuq”
1.
I. Kadare ka gabuar
rëndë dhe ka rënë në
Në mesditë Byroja Politike u
faj të rëndë. Me këtë
I.
mblodh:
vjershë ka goditur në
Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë
ballë vijën e partisë, “O shkrimtar, kur
jo vetëm në një veriorë? po tregoje, ti
aspekt, por në shumë
Në kufijtë e jugut, vallë, ç’ndodh? kujtove
drejtime.
Qielli është me re dhe dimri sjell “Pashallarët e
I. Kadare e godet borë. kuq“. E ke lexuar
vijën dhe politikën e këtë poezi të
partisë me këtë Mos po lëvizin klasat e ndaluar të
poezi: 1. Në përmbysura? Kadaresë?“, -
diktaturën e
proletariatit; 2. Në Mos ka katastrofë në prodhim? pyeti njeriu afër
unitetin parti-popull- Vallë ambasadorët mos kanë arkitektit. Sa
klasë punëtore; 3. Në nisur çuditshëm dhe sa
moralin e shoqërisë Radiograme plot shqetësim? bukur kumboi: “O
sonë. Në të gjitha shkrimtar!“. “E
këto drejtime, me
agresivitet, me ironi, Jo, kufijtë e shtetit janë të qetë, hoqën natën nga
me sarkzëm dhe me Nga ambasadat lajme me alarm gazeta.
përbuzje, dashje pa s’ka; Kryeredaktori e
dashje ai ka hedhur Dhe nën diktaturë të proletariatit çoi në komitetin
baltë dhe ka Dimërojnë kokulur ish-klasat e qendror, ta
paraqitur një shoqëri
të sëmurë, plot mëdha. shihte i madhi.
llahtarë dhe të Enver Hoxha, në
kobshme. Dhe prodhimi është normal, dhe këtë poezi, është
ditët vetëm. Ndërsa
Diktaturën e Rrjedhin të zakonshme në shkon drejt zyrës
proletariatit ai e
nxjerr gjakatare, e dhjetor… së vet, pak i
nxjerr gjakatare Po aherë pse kështu papritur kërrusur, sheh
tërthorazi, duke folur Në mesditë Byroja Politike u me radhë dyert
për komplotistët, por
në nëntekst
mblodh? përgjatë
komplotistët jemi ne korridorit. Dhe
që përfaqësojmë 2. çdo derë i kujton
diktaturën e një tradhtar të
proletariatit. Kjo Shtetet s’prishen kurrë nga partisë, që punon
diktaturë kthen edhe
kockat e dëshmorëve çatitë, aty (po tani ata
përmbys. E nxjerr të Shumë-shumë mund të pikojnë kalben nën dhe).
kalbur nga brenda. diku. E ç’është kjo, që
Asaj nuk i pikon çatia, Nga themelet prishen - këtij ligji e tradhtojnë të
por, sipas tij, në Shteti socialist i bindet gjithashtu. gjithë?! Apo atij
themele i ka hyrë
kanceri. Oficeri i s’i rrihet pa pirë
sigurimit Struga Mund që lart çdo gjë të duket gjak shokësh? Ja,
brehet nga kanceri. bukur, kjo është pak a
Kjo përkon me Gara socialiste, merrja këngës! shumë materja e
oficerin e sigurimit Haj! kësaj poezie, e
sovjetik që vdes nga
kanceri në romanin e Dhe pankartat, dhe heronjtë e kamufluar me
Solzhenicinit “Pavioni punës, art, kështu ka
i kancerozëve”. Në gazetë lokale më një maj! mbetur në kokën
time, - tha
I. Kadare e vë në një Telegrame urimi, diell i ndritur, shkrimtari. -
plan diktaturën e
proletariatit me Në mitingje vjersha letrarësh të Sidoqoftë, emri i
diktaturën e shtetit rinj; I. Kadaresë i bart
borgjez. Shpreh Kurse poshtë, pikërisht në të gjitha
mendimin se shteti themelitë, gjëmat“ .3
socialist i nënshtrohet Rritet ngadalë tumor i zi.
të njëjtit ligj si shteti
borgjez: zhduket nga
themelet. I ka fajet Për armiqtë kemi topat, himnet,
sistemi, sistemi nxjerr vallet,
burokratizmin e Ambasadat, që rrëfejnë diçka për
terrorin. Ky mendim ta.
të shpie te mendimi i
Titos. Për burokratizmin, ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë dhe konsuj atje
Në unitetin parti- s’ka!
popull-udhëheqje I.
Kadare ka përkuar 3.
me idenë famëkeqe
të Gjilasit “novij
kllas”: pashallarët e Midis shkresash, telefonësh,
kuq në partinë tonë. letërthithësesh,
Këtë term e përdor Ata skenat mbushin gjithnjë.
shpesh borgjezia. Ai u Mjaft me këtë qeshje
bën thirrje prej
anarkisti punëtorëve dashamirëse!
për të rrëmbyer Burokratët janë tjerër gjë!
ministritë sa pa i
rrëmbyer me topa. Ky Jo me bojë pelikan përjargur,
mendim i tij përkoi Si tuafë të këndshëm: ho-ho-ho!
me idenë e Toliatit, Por të kobshëm, me duar të
shprehur në tezat e
tij, kur ishte sëmurë.
përgjakura,
Gjer në bërryle unë i shoh ata.
Nga vjersha e I.
Kadaresë del një I shoh atje thellë tek rrëmojnë,
mendim shumë i Në themelet e revolucionit
gabuar, se shoqëria
jonë qenka false dhe pikërisht.
hipokrite: brenda Ç’bëjnë ashtu, pse trupat e
ziejnë shthurjet, dëshmorëve,
intrigat, komplotet. Kthejnë majtas, djathtas dhe
përmbys?!
Ai këtë shoqëri e
nxjerr me … pronarët
e saj, që ngjitin Pa shiko, trupat sikur i lajnë,
shkallët e komitetit Në themelet gjakun duan të
qendror si të ishin fshijnë shpejt;
shkallët e godinave të Dhe pas gjakut, amanetet që ata II.
Uoll-stritit. Këtë
lajtmotiv të pasurimit lanë,
ai e ka edhe tek Idealet dhe parimet krejt! - Ti më ke thënë
“Nëntori i një se ai të kishte
kryeqyteti”. Dhe vulën e gjakut pasi ta treguar se, kur
zhdukin, filluan lëvizjet e
Për të gjitha këto kjo studentëve në
është një vjershë Oh, e dinë se lehtë është pastaj,
armiqësore dhe Të ndryshojnë revolucionin, Kosovë,
kundërrevolucionare. diktaturën domethënë
Ajo duket sikur e ka E punëtorëve - thelbin e saj! protestat që
shkruar një poet i kërkonin të
huaj antikomunist, shpallej Kosova
ose sikur ta kishte Ja, kështu, atje në gjunjë të ulur,
shkruar I. Kadare Lajnë e shplajnë gjakun pa republikë,
kundër partisë pushim. Beogradi dërgoi
revizioniste sovjetike. Por ç’patën papritur, pse u një korrier për t’u
ndalën, marrë vesh me
Pas “Kështjellës”, që
është roman i mirë Tek një yrt i shkretë, tek një Enverin. Dhe ky
dhe militon, si pasojë djerrinë? kishte thënë: “Jo,
e presionit të madh të tha, s’duam të
ideologjisë borgjeze e Këtu janë varrosur të ketë dy
revizioniste, si pasojë përmbysurit, Shqipëri!”.
e ndikimeve të huaja
mbi të, I. Kadare ka Pashallarë, bejlerë, familje të - E vërtetë është,
ardhur duke rënë mëdha. ma ka thënë.
gjithnjë e më shumë. Ata sullen, trupat kthejnë - Ma thuaj edhe
“Dimri i vetmisë së përmbys e nisin një herë,
madhe” dhe “Nëntori ç’thoshte për
Që t’i veshin me një vrull hata!
i një kryeqyteti” janë poemën
edhe me të meta
ideologjike - gjersa 4. “Pashallarët e
erdhi tek vjersha që kuq”?
po analizojmë. Dhe mëngjesi erdh. Të zbehtë, të - Nuk e kishte
ngrirë, lexuar, por kishte
I. Kadare nuk e njeh Nën mantelet me nishane e zbardhur fjalën e
marksizmin dhe nuk
bën përpjekje për ta
kurorë Enver Hoxhës.
njohur. Ai atë e Ata shkojnë në zyra, ministrira, “Më dhanë
zëvendëson me Madje ngjiten gjer në komitet kasetën dhe e
teoritë borgjeze e qendror. kam shkruajtur
revizioniste, me një vetë në letër
mish-mash teorish
eklektike: socialiste- Pashallarë të kuq, bejlerë me çfarë kishte
oportuniste, tesera partie, thënë, - më
objektiviste e Baronë-sekretarë, bosë të naftës tregonte
subjektiviste. Këto i varg, sekretari i
bën sikur i ka të tijat, Në kortezh të zymtë, nën himne diktatorit. - Eshtë
por janë të thëna e të
stërthëna në gjithë liturgjie, një poemë
botën. Duket sikur ai Çojnë tabutin e revolucionit për reaksionare,
nuk beson në vijën e në varr. armiqësore.
partisë. Ismail Kadareja
5. aludon keq edhe
I. Kadare nuk ka
nxjerrë mësime nga për mua. Të
pësimet. Gabimet në Kurse pamja e jashtme është mbahet qendrim
tregimin ndryshe: ndaj tij. Vërejtje
“Përbindëshi”, në Buzëqeshje, tundje grushti në dhe Ramiz Alisë,
tregimin miting, se në sektorin që
“Provokacioni”, si dhe
liberalizmat në “Dimri Thjeshtësi te xha Kamberi, tek iks mbulon ai bëhen
i vetmisë së madhe”, gjyshe, të tilla faje”.
nuk i quajti gabime. Dhe fjalët “Enver, parti, - Nejse, s’dua t’ia
autokritikë”. di fare për
I. Kadare është i zëvendësdiktator
predispozuar për
ndikime, është, si të Kështu ishte ditën, kurse natën, in, por Kadaresë
thuash, joshës i tyre. Zbrisnin në themel ata sërish, ç’i bënë pas
Ai e paraqet botën Por revolucioni s’ish kala e kësaj?
shqiptare ndonjëherë Rozafatit, - E degdisën në
si një turist i huaj. Që duronte: ditën ngre e ngre e një kooperativë
Sepse artin e kupton
si një liberal. Kujton natën prish. bujqësore andej
se heroi pozitiv e nga Myzeqeja,
prish artin. Në veprat 6. fshatrave të
e tij është një ironi e internimeve, dhe
tillë ndaj heroit Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë, emri i tij mungoi
pozitiv, që e krahason
me Krishtin dhe Ishte i pari që dyshoi për ta. gjatë në shtypin
shumë pak e ka Dhe aherë në themelet e shtetit e kohës. Dhe ai,
heroin pozitiv në Zbriti, si në baladat e mëdha. dhe vepra, u
vepër. Eshtë e ndaluan”4.
vështirë të gjesh në Një pishtar të kuq mbante në
veprën e tij një njeri
të thjeshtë të popullit. dorë,
Priret mjaft pas të Dheu dridhej: flaka mbi tar a!
gjymtuarve, idiotëve, Dhe i pa tek prishnin gjakun e
sakatëve, memecëve, dëshmorëve,
kurvave. Tek ndanin mantelet seç i pa!
Ai bën një jetë të
mbyllur
“Ja ku qenkeni!” - ata u ngrinë:
intelektualiste, “Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!”
gjysmë-borgjeze, Po ai, i mvrejtur,me dhimbjen në
jashtë konditave të çdo thinjë Si një mal me dimër
vendit. Kritika gjithnjë bubulloi.
i ka bërë lëshime. Ka
qenë jashtë sferës së
kritikës. Disa Krisht ai nuk ishte që t’i dëbonte,
frikacakë e servilë Nga pushteti me kamzhik dhe
janë përulur ndaj stap,
autoritetit të tij letrar Ai klasën ngriti të punëtorëve,
dhe nuk kanë parë
autoritetin e partisë, Për ta bërë burokratizmin zap.
por autoritetin e I.
Kadaresë si 7.
shkrimtar.
Si dikur patrullat partizane,
Botimet jashtë shtetit
e kanë bërë I. Shtegtojnë ekipet e kontrollit
Kadarenë të fluturojë punëtor,
mbi re. Ato nuk i ka Që të mos i marrim ministritë me
parë si sukses i topa
letërsisë kombëtare, Nesër. Sot i marrim me kontroll.
por si një gjë
individuale. Ato i kemi
përkthyer ne, shteti Diktaturë e klasës s’është veç në
ynë, për nderin e vjersha,
letërsisë. Dhe në ditëlindjen e veteranit
tornitor.
Duhet të kujtojmë të
kaluarën. Gjer te Je për socializëm? Vrapo në
gabimi i i. Kadaresë, rrjeshta!
që është më i rëndi Shpall kudo dhe mbi këdo
nga gjithë gabimet që kontroll punëtor!
kanë ndodhur deri më
sot, le të kujtojmë
dhe novelën “Ditë Bjeri ditë e natë burokratizmit,
dhe netë që mund të Klasën që u përmbys nën këmbë
vijnë” të T. Laços, që e mbaj!
ishte e përshkuar nga Nëse s’do që nesër skuadër e
fryma disfatiste e B. pushkatimit Të të vejë në mur tek
Ballukut; të vijmë te
romani “Tre Gjikat” bulevard i madh!
dhe vjershat e P.
Markos, që kishin 8.
frymë anarkiste dhe
antikombëtare. Ditët ikin. Vorbullat e ngjarjeve,
Nëpër stinë e vite shtjellin furi.
Vijnë plenumet e partisë posi
ushtarët
E revolucionit në stuhi!
Ecën klasa pas partisë në ditë
epike,
Populli pas klasës derdhet oqean.
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja
Politike,
Mesditë a mesnatë, ati gjithë
janë.

1. Procesverbal i mbledhjes së organizatës së partisë të Lidhjes së
Shkrimtarëve. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Viti 1975, Dosja 363, fl.
50-56.
2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Viti 1975, Dosja 363. Dorëshkrimi
është zhdukur. Daktiloshkrimi ka në fund nënshkrimin e autorit. U
botua për herë të parë në “Gazeta shqiptare”, 15 mars 2002 dhe u
ribotua të nesërmen me kërkesën e lexuesve.
3. V. Zhiti, “Rrugët e ferrit“, Tiranë 2001, f. 281.
4. V. Zhiti, “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 422. Mendimi i E. Hoxhës
për "Pashallarët e kuq", sipas rrëfimit të V. Lamës, një prej ish-
ndihmësve të tij të afërt.

DOKUMENTI NR. 13:

“Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një
vjershë armiqësore, kundërrevolucionare, të
drejtuar kundër regjimit tonë, kundër diktaturës
së proletariatit. Armën të cilën partia më kishte
besuar për të goditur borgjezinë dhe
revizionizmin e ktheva kundër saj. Pavarësisht
se këtë nuk e bëra me qëllim, arma, edhe e
shkrehur pa dashje, të vret. E gjithë vjersha
është armiqësore dhe kundërrevolucionare. Unë
isha në këtë vjershë po aq i rrezikshëm sa një
kundërrevolucionar”.

Diskutim i Ismail Kadaresë1

Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një vjershë armiqësore,
kundërrevolucionare2, të drejtuar kundër vijës së partisë, kundër
regjimit tonë, kundër diktaturës së proletariatit, kundër popullit
tim. Kjo vjershë është e drejtuar kundër gjithçkaje që unë kam
besuar në jetë.
Duke pretenduar se është një vjershë kundër burokratizmit dhe
komplotizmit, ajo në të vërtetë është ndihmësja më e madhe e
burokratizmit dhe, në qoftë se do të botohej, ajo do të ishte
pjesëmarrëse e komplotizmit. Po të botohej, këtë vjershë armiqtë
do ta përdornin si armë për të goditur regjimin tonë dhe gjithçka
të shtrenjtë që ne ngremë dhe mbrojmë në vendin tonë.
E gjithë vjersha, që nga kreu gjer në fund, është ndërtuar gabim.
Ajo është nisur shtrembër dhe ka mbaruar shtrembër. Çdo gjë në
të është e keqe dhe armiqësore. Ngatërrimi i burokratizmit dhe
komplotizmit, që në fillim m’u duk si gabim i falshëm, ishte fatal.
Me një mendjelehtësi të pafalshme unë arsyetova: si
burokratizmi, si komplotizmi, janë aty-aty; komplotizmi është një
stad më i lartë i burokratizmit, pra, mund të trajtohen në një plan,
aq më tepër që jemi në terrenin e poezisë. Mirëpo ky i
ashtuquajtur “gabim i falshëm” më çoi mua në krijimin e kësaj
vjershe të zezë.
I ashtuquajturi zemërim imi kundër burokratizmit nuk ishte veçse
një ndjenjë e sëmurë tmerri shkaktuar prej tij. Përpara syve tanë
ndodhi një nga gjyqet më origjinalë të historisë: masa i gjykonte
komplotistët duke qenë akoma në pushtet. Këtë gjë madhështore
unë nuk e pashë. Në këtë fenomen unë pashë të kundërtën.
Pashë komplotistët që shkatërronin pushtetin në sytë tanë, kurse
masat i pashë të terrorizuara prej tyre. Asgjë optimiste nuk pashë
unë në këtë luftë, që ishte e gjitha nga kreu në fund një betejë e
fuqishme klasore, që tregonte forcën e pushtetit popullor,
pastërtinë dhe përjetësinë e tij, dhe jo dobësinë, krimbjen,
vdekjen e tij.
Që në fillimin e vjershës, duke shkruar se shtetet nuk prishen nga
çatitë, unë e kam spostuar çdo gjë shtrembër, shtrembër nga ana
ideologjike, shtrembër nga ana politike. Komplotistët synonin
pikërisht prishjen nga çatia. Komplotistët nuk i arrinin dot
themelet e shtetit, prandaj ata synonin çatinë. Duke mos e pasur
të qartë këtë, duke kujtuar me mendjemadhësi se i dija këto
gjëra, e nisa së prapthi këtë vjershë reaksionare.
Gabime të tjera të rënda ndjekin njëri-tjetrin nga vargu në varg.
Injorohet lufta e klasave, rrethimi imperialisto-revizionist,
ngatërrohet kontrolli punëtor me diktaturën e proletariatit, nxihet
realitetit, njolloset gjithçka. Asgjë në vjershë nuk qendron. Një
ndjenjë fatalizmi, makabriteti, një ndjenjë e sëmurë e përshkon
atë nga kreu në fund. E gjithë vjersha është armiqësore dhe
kundërrevolucionare.
Nuk është hera e parë që unë bie në gabime. Qysh në librat e mi
të parë unë u kritikova për njëfarë mënjanimi dhe timiditeti, që
dëmton tingëllimin e shëndoshë ideor të tyre. Më vonë, për librin
me vjersha “Shekulli im” u kritikova për konfuzion ideor, për
influenca të bagazhit kulturor borgjez e sidomos të atij revisionist.
Ndikimet gjenin të çara për të depërtuar tek unë. Kjo u duk në
variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ky
roman kishte një defekt themelor në qendër të tij. Figura e
gjeneralit të huaj ishte konceptuar gabim ideologjikisht. Kjo bënte
që gjithçka e mirë që kishte ky roman të eliminohej nga ky
defekt.
Në mënyrë tejet të gabuar unë konceptova dhe shkrova tregimet
“Provokacioni” dhe “Përbindëshi”. Në këtë të fundit unë përsërita
lajthitjen e vjetër: nuk ka rëndësi forma që do të zgjedh për të
shprehur përmbajtjen, mendova. Dhe kështu, duke kujtuar se po
shkruaja veprën time të parë kundër rrezikut revizionist, historinë
e “kalit të Trojës”, që po na kërcënohej, unë nuk bëra gjë tjetër
veçse një mish-mash3.
Më vonë, disa nga gabimet e mia të mëparshme, u reflektuan
edhe në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Duke mos pasur
formim të plotë ideologjik, unë nuk munda të realizoj dot
soliditetin e veprës në tërë shtrirjen e saj.
Të gjitha këto gabime të njëpasnjëshme të shfaqura herë pas
here në krijimtarinë time e kanë bazën në formimin tim të
pamjaftueshëm ideologjik. Boshllëku ideologjik ka bërë që të
vërshojnë drejt ndërgjegjes sime gjithfarë rrëkesh të turbullta, të
cilat më kanë errësuar shumë herë kuptimin e vërtetë të gjërave.
Duke lexuar gjithfarë librash, dokumentesh e materialesh të tjera,
duke u zhytur në to dhe i tërhequr prej tyre, nuk jam ndalur për
t’i interpretuar sipas mësimeve të marksizëm-leninizmit, por i
kam gëlltitur shpesh pa kujdes. Nga përzierja e tyre, nga kjo
mënyrë teknokratike e trajtimit të tyre, është shkaktuar shpesh
tek unë njëfarë kaosi dhe një humbje e fillit të qartë të gjërave.
Për të shkruar vjershën time të fundme m’u duk se ishte i mjaftë
zemërimi që na ishte ngjallur nga informimi i partisë për
komplotistët4. Unë e dija se një defekt artistik nuk e shkatërron
një vepër, kurse një defekt i rëndë ideologjik e shkatërron atë në
themel. Mirëpo në ndërgjegjen time besoja se vetëm
mossinqeriteti e shkatërron veprën.
Në qendrimin tim ndaj sovjetikëve peshën kryesore e mbajtin në
fillim elementi patriotik, dashuria për atdheun dhe urrejtja për
egërsinë e shtetit të madh revizionist që donte të vinte në gjunjë
vendin dhe partinë tonë. Kurse për të tjerat, për arsyet
ideologjike të kontradiktave, unë nuk u thellova. Ishte pikërisht
kjo që u bë shkas për njëfarë paqartësie ideologjike në disa
vjersha, poema e ndonjë tregim të asaj kohe. Ishte kjo vazhdë që
shkaktoi defektin e rëndë në variantin e parë të romanit
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Bindja në pozicionin tim politik m’u duk se më jepte të drejtën të
kap çdo temë, mbarë e mbrapsht, si të më tekej, i bindur se nuk
gaboj, se, edhe në gaboj, punë e madhe, gabimi do të ishte i
parëndësishëm. Edhe gabimet e së kaluarës, të para në këtë
prizëm, më dukeshin të justifikueshme. Kështu, p.sh., për
variantin e parë të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, unë
mendoja: edhe nëse e bëra gjeneralin italian deri-diku të
njerëzishëm, a mund të më thotë njeri se unë simpatizoj fashistët
italianë? Po kështu, për tregimin “Përbindëshi”, për të cilin
thosha: pavarësisht se është i gabuar nga forma, përmbajtja
drejtohet kundër revizionizmit, pra, gabimi do të jetë i cekët.
Ishin të tilla koncesione që i bëja vetes, që më bënë të ul
vigjilencën, të mësohem me boshllëqet ideologjike dhe t’i
justifikoj ato. Me një fjalë, edhe një cilësi pozitive si besnikërinë
politike unë e ktheva në një minus në praktikën time letrare. Si
vazhdë e gjithë kësaj dhe si shfaqje e saj ekstreme ishte shkrimi i
vjershës kondërrevolucionare kohët e fundit. Përse hynte në punë
pozicioni im politik? Për asgjë! Unë isha në këtë vjershë po aq i
rrezikshëm sa një kundërrevolucionar6.
Veprat e mia filluan të botohen në botën e jashtme qysh nga viti
1970. Nga romani i parë u bë e qartë se veprat e mia do të
botoheshin këndej e tutje rresht. Ky ishte një çast prove për mua.
Do t’u modifikohesha unë shijeve të borgjezisë apo nuk do t’u
modifikohesha? Unë mendoj se në përgjithësi nuk iu modifikova
shijeve të borgjezisë5. Dikush mund të më thotë me plot të drejtë
se, edhe sikur të doje t’i modifikoheshe borgjezisë, nuk të linte
kush. Kjo është e vërtetë. Askush nuk të lë në vendin tonë t’i
modifikohesh borgjezisë ose revizionizmit7. Por modifikimi mund
të ishte jo i drejtpërdrejtë, por i tërthortë. Ai mund të shfaqej,
p.sh., në tërheqjen nga temat politike, marrje me tema anësore
të quajtura “të përjetshme” etj. Unë nuk e bëra këtë, megjithëse
kritika borgjeze në një mënyrë a një tjetër sugjeronte të
kundërtën. Në atë kohë unë hoqa dorë nga dy-tri vepra të
shkurtra me motive historike ose legjendare.
Me vjershën time të fundit unë bëra fajin më të rëndë ndaj
partisë: armën të cilën partia më kishte besuar për të goditur
borgjezinë dhe revizionizmin e ktheva kundër saj8. Pavarësisht se
këtë nuk e bëra me qëllim, arma, edhe e shkrehur pa dashje, të
vret9.

1. AQSH, F. 14/AP, V. 1975, D. 363, fl. 62-76.
2. Bashkë me tekstin e stenografuar të diskutimit të I.
Kadaresë, ruhet edhe një tekst tjetër, me titullin “Autokritika e
I. Kadaresë”, me të njëjtën përmbajtje, por më e përpunuar
gjuhësisht. Ky dokument ka treguesit arkivorë si vijon: AQSH,
F. 14/AP, Str. O.U., V. 1975, D. 363, fl. 77-92. Autokritika nuk
ka nënshkrim.
3. Në tekstin e dytë gjendet një shënim i H. Kapos, ku thuhet:
“Sh. Ramiz! Mendoj se autokritika është e mirë dhe
premtuese. Duhet t’i jepet ndihmë të korrigjohet. Nënshkrimi,
19.11.1975”. Me sa dihet, ky shënim, si dhe masa ndëshkuese
“vërejtje në kartën e regjistrimit“, mbyllën problemin e
Kadaresë si problem politik për këtë vjershë, e cila,
megjithatë, nuk iu kthye autorit dhe mbeti e pabotuar, e
konsideruar e zhdukur, deri në vitin 2002.

__________
1. Titulli është i vetë dokumentit.
2. Që në krye ndihet se cila ishte situata rreth autorit dhe sa ishte
pranë rrezikut ai vetë, pas botimit të poezisë.
3. Kjo autokritikë retrospektive, edhe për vepra që e kishin kaluar
tashmë provën e qortimit politik, shpreh edhe një herë “thellimin“ e
autorit, me qëllim që të ishte sa më bindës dhe për të shpëtuar me
ndëshkimin më të lehtë.
4. Ka një përputhje të nxjerrjes në vëmendje kryesore të
parakohshmërisë së botimit të vjershës por komplotistët, duke ia
marrë iniciativën partisë, në letrën e D. Agollit nga njëra anë dhe në
autokritikën e I. Kadaresë nga ana tjetër. Duke e shtruar kështu
problemin, si “çështje kohe“, ishte më e lehtë të përballohej
përgjegjësia politike e poemës.
5. Në fakt, në rrafshin letrar, lexuesi shqiptar ka mbetur lexuesi i
parë i Kadaresë edhe pas ndryshimeve që ndodhën në fillimin e
viteve 1990.
6. Këto motive sunduan gjysmën e dytë të viteve 1980 të veprës së
Kadaresë.
7. Vetë shkrimtari I. Kadare është shprehur publikisht se nuk u
trembej shprehjeve të tilla, si “armik“, “reaksionar“,
“kundërrevolucionar“. E vetmja fjalë që më trembte ishte fjala
“agjent“, është shprehur shkrimtari. Claude Durand, president i
“Editions Fayard”, në një intervistë dhënë “Shekulli-t“ më
27.05.2004 përmend si rastin e vetëm “dekonspirues“ të Kadaresë
në Perëndim dhënien e një harte të kampeve të internimit: “Eshtë
diçka që as vetë Kadare nuk e ka deklaruar. Pas udhëtimit tim të
parë në Shqipëri, e përjavshmja e rëndësishme franceze “L’Express”
botoi një artikull për gulag-ët e fundit në Europë. Një pjesë e këtij
artikulli bënte fjalë për Shqipërinë. Kishte dhe një hartë, që tregonte
për kampet dhe burgjet e regjimit. Nuk ishte ndonjë nga
bashkëpunëtorët e shtëpisë sime botuese që e bëri këtë. Unë vetë i
kërkova këto dhëna, dhe ishte Ismaili ai që më vuri në dijeni për të
gjitha, me qëllim që shtypi i huaj perëndimor të njihte vendet e
torturave dhe kampeve të internimit në Shqipëri. Kadare nuk e ka
thënë kurrë këtë dhe unë po e them tani. Falë tij Perëndimi njohu
ndëshkimet e regjimit në Shqipërinë e asaj epoke”.
8. Dokumenti është mjaft i gjatë. Botohet me shkurtime, duke mos
cenuar përmbajtjen. Shkurtime janë bërë në pjesët deklarative.
9. “Po pse nuk e futin Kadarenë në burg?“ - pyeti një i posambërritur
në kuvendin tonë, i gjatë, me buzë të shpërvjela. “Në burg është, si
gjithë të tjerët“, - iu përgjigjëm. “Jo, jo, të vijë këtu me ne, ta njohë
burgun“. “Ne na duhen veprat e tij“, - tha i mpirë arkitekti. “Më mirë
pena në dorën e shkrimtarit se sa prangat“, - shtoi një i vjetër, teksa
rrëkëllente sheqer me gotë. “Jo se unë dua të futet në burg, - e mori
fjalën prapë gjatoshi, - por pse shteti, me gjithë këto prapësira që
bën e shkruan ai, nuk i hedh hekurat, si ty, si neve“. “E ka të
vështirë për të tani, - e ndjeu të nevojshme të sqarojë kolegu fatkeq.
- Eshtë komplekse. Diktatura kërkon të bëjë alibi, të japë jashtë
shtetit imazhin e lirisë, normalitetit. Kadare sigurisht e ka kuptuar
këtë dhe e shfrytëzon për të bërë art të madh. Arti i madh a nuk
është një kundërshtim?“ (Nga: V. Zhiti, “Rrugët e ferrit“, Tiranë
2001, f. 217-218).

DOKUMENTI NR. 14:

“Shprehje e qartë e mosrespektit të botuesit, e
nervozizmit dhe arrogancës, janë shkarravinat
me të cilat e ka mbushur dorëshkrimin tim, duke
e nxjerrë një pjesë të tij jashtë përdorimit”1.

Pas një zvarritjeje të gjatë drejtori i shtëpisë botuese Th. Leci
hodhi poshtë praktikisht romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, të
përpunuar prej meje disa herë dhe të redaktuar nga D. Agolli2.
Formalisht ai nuk tha se është kundër këtij romani, por bëri
vërejtje të tilla monstruoze, që janë shkatërrim i romanit. P.sh., ai
kërkoi heqjen ose zëvendësimin e shumicës së personazheve etj.
etj. Ai bëri vërejtje gjithashtu për figurën e sh. Enver, për
bisedimet e Moskës (jo për pjesët e reja, por për pjesët e
botuara).
Mua sjellja e tij m’u duk prepotente në kulm. Siç duket, ky njeri
s’ka asnjë respekt për autorët dhe, veç kësaj, në këtë rast, edhe
për kryetarin e Lidhjes, si redaktor i librit.
Shprehje e qartë e mosrespektit të tij, e nervozizmit dhe
arrogancës, janë shkarravinat me të cilat e ka mbushur
dorëshkrimin tim, duke e nxjerrë një pjesë të tij jashtë përdorimit.
Megjithëse unë kisha shënuar se ekziston vetëm një kopje e
romanit, ai e mbushi atë me shkarravina, me shënime fyese
anash, si: “trill i fantazisë së autorit“ etj3.
Mendoj se drejtori i shtëpisë botuese hyn në kategorinë e atyre
njerëzve që nuk duan që romani “Dimri i vetmisë së madhe“ të
ekzistojë. Mendoj se elementë prosovjetikë atje4, duke pasur gjer
dje edhe detyra partie, atje kanë bërë një punë të dëmshme.
Ismail Kadare
21.9.19765

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1976, D. 552, fl. 5-6.
2. Në dorëshkrim dhe në tekstin e shtypshkruar nuk gjendet
asnjë shënim.
3. Në një fletë shoqëruese të letrës gjendet shënimi: “Arsim-
kulturës, sekret. Recensioni e materiale që u shikuan gjatë
kohës kur lindën debate midis shtëpisë botuese “N. Frashëri“
dhe autorit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe“ - për
ribotimin e romanit. Të ruhen në arkiv. Materialet janë të
marra nga sektori i shtypit. J. Mato (nënshkrimi vetëm)“. Nga
ky shënim mësohet se me lëndën e dosjes janë marrë së paku
dy sektorë të aparatit të komitetit qendror.
4. “A.a” - akt për arkiv më 22.08.1978, pas ribotimit të librit.

__________
1. Dorëshkrimi i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, pjesërisht i
ruajtur në AQSH.
2. Letra ruhet në dorëshkrim dhe e daktilografuar. Nuk ka adresë të
përshkruar të marrësit. Duhet të ketë qenë në zarf, i cili nuk është
ruajtur. Nga një shënim i J. Matos mësohet se “materialet janë marrë
nga sektori i shtypit“ i aparatit të komitetit qendror të PPSH.
3. Një pjesë e dorëshkrimit të romanit për të cilën bën fjalë autori i
letrës, saktësisht pjesa që është kërkuar të hiqet, ruhet në AQSH.
Dorëshkrimi ka shënime të shumta, pikëpyetje, pikëçuditje,
theksime për gabimet e autorit, pyetje retorike. Dorëshkrimi në një
pjesë të madhe të tij është thuajse i palexueshëm.
4. Për arsye të etikës publike nuk janë identifikuar emra të
përveçëm që autori ka përmendur në letrën e tij.
5. Data është vënë nga zyra marrëse e letrës.
DOKUMENTI NR. 15:

“Në këtë gjendje romani është një vepër e
diskutueshme, problematike, me shumë
pikëpyetje. Për këto arsye, si drejtor i shtëpisë
botuese, unë nuk mund të firmos për ta çuar në
shtyp. Në studimin e romanit dhe në vërejtjet që
kam bërë për të jam nisur nga orientimet që na
janë dhënë në aparatin e komitetit qendror për
ta shikuar romanin në linjat kryesore, në
personazhet kryesorë dhe në çdo paragraf e
frazë”.

Tiranë, 23.9.1976
Informacion
Rreth ribotimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”1

Rreth ribotimit të romanit të I. Kadaresë “Dimri i vetmisë së
madhe” kanë lindur disa mosmarrëveshje midis autorit dhe
drejtorit të shtëpisë botuese.
Siç dihet, për redaktimin e këtij romani ka qenë ngarkuar shoku
Dritëro Agolli. Më datën 16 shtator, në drejtorinë e shtëpisë
botuese “N. Frashëri”, u bë një mbledhje për të diskutuar rreth
romanit. Aty morën pjesë shokët: Thanas Leci, Ismail Kadare dhe
Dritëro Agolli. Pas gjashtë orë diskutimesh2 autori dhe drejtori i
shtëpisë botuese nuk arritën në një mendim të përbashkët.
Këto ditë erdhi në takim në aparatin e komitetit qendror I.
Kadare, i cili shprehu ankesa për trajtimin e problemit të ribotimit
të romanit nga ana e drejtorit të shtëpisë botuese. Për sqarimin e
çështjes thirrëm në aparat edhe Th. Lecin e D. Agollin.
Shoku Dritëro vuri në dukje se ai kishte pasur vërejtje për
romanin që iu dha për redaktim, por, sipas tij, Ismaili i realizoi të
gjitha vërejtjet që ai i kishte bërë. Shoku Dritëro theksoi se në
redaktim ai kishte pasur parasysh faktin kryesor, që “romani
drejtohet kundër revizionistëve dhe ata i demaskon”. Ndonjë gjë
të diskutueshme të dorës së dytë mund ta ketë romani, por ai
ishte nisur nga ato më të rëndësishmet.
Romani, në krahasim me botimin e parë (sipas shokut Dritëro), ka
përmirësime në këto drejtime:
- Eshtë shkarkuar nga aspekte të cilat shiheshin me një frymë
liberale (si lidhja e të rinjve, e femrave licensioze), po ashtu
janë hequr pjesë ku talleshin të vjetrit, apo gjykime të
padrejta për socializmin.
- Autori ka evidentuar dhe nga të rinjtë disa tipa positive, që
më parë nuk i kishte. Eshtë përmirësuar linja e Besnikut dhe
e Benit. Eshtë futur një personazh i ri, Maksi, dhe një skenë
nga klasa punëtore, por pa ndonjë tip të individualizuar.
- Romani është aktualizuar duke shfrytëzuar dhe materiale të
vëllimit të 19-të të veprave të sh. Enver.
Dritëroi nga ana e tij ka nënshkruar faqe për faqe gjithë romanin
për të dhënë pëlqimin për botim3.
Gjatë diskutimit që u bë më datën 16.9.1976 me shokun Thanas
Leci ranë dakord dhe u korrigjuan edhe disa çështje të tjera:
Kështu, u korrigjua një moment, ku lufta midis konservatorizmit
dhe liberalizmit shikohet si luftë tarafesh dhe krijohet ideja se ka
dy tendenca që luftojnë në parti.
U hoqën disa apekte ku nuk mbahej qendrim i drejtë ndaj forcave
krijuese, që paraqiteshin si “prosovjetikë“ ose kur viheshin në lojë
letrarët e rinj.
Në takimin që bëmë shoku Dritëro vuri në dukje:
- Me këto redaktime romani është i botueshëm. Ky variant
fiton shumë dhe militon shumë më mirë se ai që kemi në
qarkullim.
- Kuptohet që autori nuk mund të bëjë ndryshime të mëdha,
duke futur linja të reja.
Shoku Thanas Leci, në mbledhjen e datës 16 shtator, dha
mendimet e veta për romanin, të cilat i kishte të shkruara dhe ia
lexoi autorit. Bashkëngjitur me këtë informacion paraqesim edhe
materialin prej 27 faqesh, me vërejtje të Th. Lecit dhe një
informacion të tij4.
Shoku Thanas nuk është dakord me këto mendime të Dritëroit
për romanin:
- “Romani, duke forcuar përmbajtjen, nuk përbën ndonjë
vështirësi për botim”.
- “Në përgjithësi në linjat kryesore dhe në planet kryesore
tanimë nuk i duhet ndërhyrë autorit”.
- “Redaktimin e romanit duhet ta bëjmë në tri drejtime: në
drejtimin e pastrimit të frazave që kanë mendime që nuk
përputhen me moralin tonë, me politikën tonë, me estetikën
tonë”.
Shoku Thanas, pasi pranon se romani “ka një varg vlerash të
mëdha, ka pjesë të goditura, që janë trajtuar drejt”, si dhe pasi i
përmend këto pjesë, vë në dukje se vepra “ka një sërë të metash
e dobësish, si në drejtim të përmbajtjes, ashtu dhe të formës, si
në drejtim të disa linjave, të personazheve, ashtu dhe të një
numri mendimesh jo të drejta”.
- Së pari, romanit i mungojnë figurat artistike tipike positive,
nga klasat dhe shtresat e përparuara të popullit, nga rinia,
gratë dhe sidomos nga klasa punëtore.
- Së dyti, një dobësi tjetër e romanit është dhe fakti se ai
është i ngarkuar me atmosferë apo sfonde negative, në
ambientet dhe në rrugët e Tiranës dhe jashtë saj. Ka të rinj
të shthurur, njerëz të dehur, idiotë, njerëz vulgarë, imoralë,
psikopatë. Në materialin e shkruar janë analizuar
konkretisht këto.
- Së treti, të meta e dobësi vërehen edhe në linjën e
pasqyrimit të disa personazheve pozitivë të veprës (merret
si shembull Besniku, si personazh i lëkundur, pa vullnet,
kontradiktor).
- Së katërti, bëhen vërejtje për linjën Besnik-Zana, për linjën
e rinisë, për qendrimin ndaj shkrimtarëve dhe në përgjithësi
ndaj intelektualëve krijues. Për këto çështje jepen shembuj
konkretë në materialin e shokut Thanas. Këtu një vend zënë
dhe shembujt ku Kadare kritikon ata që imitojnë shkrimtarët
sovjetikë. Po ashtu bëhen vërejtje për trajtim jo të drejtë të
linjës për brezin që bëri luftën etj.
- Së pesti, bëhen vërejtje se romani përmban një varg
mendimesh, gjykimesh e konceptesh jo të drejta, disa nga
të cilat krijojnë ekuivoke.
Në fund, shoku Thanas arrin në përfundimin:
- Së pari, në këtë gjendje romani është një vepër e
diskutueshme, problematike, me shumë pikëpyetje.
- Së dyti, për këto arsye unë nuk mund të firmos për ta çuar
në shtyp.
Shoku Thanas, në bisedën që bëri me ne në aparat, theksoi se në
studimin e romanit dhe në vërejtjet që ka bërë për të është nisur
nga orientimet që i janë dhënë në aparatin e komitetit qendror
për ta shikuar romanin në linjat kryesore, në personazhet
kryesorë dhe në çdo paragraf e frazë.
Në bisedë ai përmendi kritika që i janë romanit në diskutimin që
është bërë në aparat (në sektorin e propagandas) tre vjet më
parë.
Pasi shoku Thanas lexoi materialin dhe dha konkluzionet shoku
Ismail u inatos dhe shprehu çudinë që një vit më parë shoku
Thanas e firmosi për botim romanin, kurse tani, ndonëse pranon
se romanit i janë bërë përmirësime, me diskutimin e tij e
përmbys këtë. Ai tha se romani është parë me syza të zeza,
gjersa u hodhën poshtë të gjithë personazhet pozitivë. Nëse më
parë recensentët Raqi Madhi e Stefi Kotmilo5 e hodhën poshtë
politikisht romanin, tani sh. Thanas e hodhi poshtë edhe
artistikisht. “Ky është shpartallim i romanit tim”.
Sipas informacionit të sh. Thanas, Ismaili ka bërë vërejtje pse
përmenden recensionet e S. K. dhe R. Madhit, me të cilët ai nuk
ka qenë absolutisht dakord dhe se ato ishin “provokuese,
reaksionare e me mendime të dyshimta”.
Shoku Dritëro, në bisedë tek ne, bëri vërejtje për taktin e sh.
Thanas, i cili, p.sh., mund të mos lexonte një material të shkruar
me vërejtjet që kishte për romanin, por mund t’ia thoshte në
mënyrë më shoqërore.
… … … … …6
Miti Tona, Jakup Mato7

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Viti 1976, Dosja 552, fl. 8-12.
2. Dokumenti përmban vetëm një nënshkrim. Më 8.10.1977
punonjësi i sektorit të shtypit Kiço Kapedani ka shënuar
shkurtesën “A.a“, akt në arkiv.

__________
1. Titulli është i vetë dokumentit.
2. Mund të përfytyrohet atmosfera e një debati që ka zgjatur gjashtë
orë!
3. Nuk është rasti i parë dhe i vetëm që D. Agolli ka mbrojtur
Kadarenë.
4. Ky material, prej 27 faqesh, me vërejtje për romanin e Kadaresë,
një vit pasi kishte nënshkruar pro botimit, megjithëse u kërkua prej
autorit të librit, nuk u arrit të identifikohej. Një dokument i tillë do të
bënte edhe më të qarta raportet midis shkrimtarit dhe botuesit që,
sikurse shprehen autorët e relacionit, “zbatonte porositë e komitetit
qendror“.
5. Nga dy recensionet e përmendura në këtë informacion, me gjithë
kërkimet e bëra, u gjet vetëm ai i Raqi Madhit.
6. Relacioni vijon me paraqitjen e ankimeve që përmban letra e I.
Kadaresë ndaj botuesit. Kjo letër përfshihet në këtë libër.
7. Respektivisht: drejtor i drejtorisë së shtypit dhe specialist në
sektorin e kulturës.

DOKUMENTI NR. 16:
“I kemi dërguar sektorit të shtypit të aparatit të
komitetit qendror rreth 25 faqe të shkruara
rishtas nga autori për romanin “Dimri i vetmisë
së madhe”. Në 4 faqe prej tyre flitet për luftën
kundër burokratizmit. Për këto faqe kemi këto
vërejtje: Të shikohen formulimet e konceptimit
të luftës kundër burokratizmit, të forcohet në
këto faqe, krahas luftës kundër burokratizmit,
edhe lufta kundër liberalizmit, të shikohen disa
mendime që i vishen shokut Enver nga autori
për luftën kundër burokratizmit”.

Sektorit të shtypit të aparatit të komitetit qendror të
partisë

Shoku Miti1,
Lidhur me ribotimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” të
shkrimtarit I. Kadare ju relatojmë sa më poshtë:
Redaktori shoku Dritëro Agolli, shtëpia botuese (e përfaqësuar
nga unë) dhe ministria e arsimit dhe kulturës (e përfaqësuar nga
shoku Anastas Kondo), së bashku me shokun Ismail Kadare, kemi
arritur në përfundimin që romani “Dimri i vetmisë së madhe” tani
është gati për ribotim2.
Gjatë takimeve që ne të katër kemi pasur kemi konstatuar se
romanit i janë bërë një varg ndryshimesh pozitive, si në drejtim të
përmbajtjes, ashtu dhe të formës. Autori mori parasysh pothuajse
të gjitha vërejtjet e bëra nga redaktori, si dhe shumicën e
vërejtjeve të bëra nga shtëpia botuese e ministria.
I kemi dërguar atij sektori rreth 25 faqe të shkruara rishtas nga
autori. Në 4 faqe prej tyre flitet për luftën kundër burokratizmit.
Si redaktori, ashtu dhe ministria dhe shtëpia botuese, për këto
faqe kemi këto vërejtje:
- a. Të shikohen formulimet e konceptimit të luftës kundër
burokratizmit.
- b. Të forcohet në këto faqe, krahas luftës kundër burokratizmit,
edhe lufta kundër liberalizmit.
- c. Të shikohen disa mendime që i vishen shokut Enver nga
autori për luftën kundër burokratizmit.
Vetë autori mendon se në këto faqe nuk ka ndonjë shqetësim.
Kurse në faqet e tjera, ku flitet për figurën e shokut Enver Hoxha,
vërejtja kryesore që kemi është që të shikohen mendimet që i
vishen shokut Enver gjatë punimeve të plenumit të komitetit
qendror, si dhe në ato vende ku flitet për grupet disidente, se
mendojmë sikur ka ca tepërime.
Më në fund i kemi ngritur autorit edhe problemin e titullit të
romanit. Ky titull nuk na duket i goditur. Por autori herë heziton,
herë nuk pranon të ndryshojë titullin e veprës, me pretekstin se
“përmbajtja e veprës e sqaron titullin”. Megjithatë, ne do të
dëshironim e mendojmë që titulli i veprës duhet të ndryshojë, se
kështu siç është krijon keqkuptime3.
Thanas Leci
(Nënshkrimi)
Tiranë, 16.11.1976.

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, V. 1976, fl. 13-14.
2. Teksti i letrës përmban nënvizime dhe shënime për tërheqje
vëmendjeje, por nuk ka porosi ose udhëzime.

__________
1. Miti Tona, ishte drejtor i drejtorisë së shtypit në aparatin e
komitetit qendror.
2. Në letër pohohet se botuesi është i gatshëm ta nënshkruajë
dërgimin e veprës në shtyp, por një vit më vonë rezulton se këtë
gatishmëri nuk e ka më.
3. Në fakt, me vërejtjet e mësipërme, vërehet se vepra nuk është
pranuar për botim.

DOKUMENTI NR. 17:

Fragment i romanit “Dimri i madh“, dorëshkrim i
autorit dërguar shtëpisë botuese “Naim
Frashëri” dhe përcjellë nga kjo e fundit sektorit
të shtypit të komitetit qendror të PPSH për
mendim. Përfaqëson pjesën e shtuar të romanit,
e cila, në përfundim, nga autoritetet e larta
pjesërisht iu refuzua, sepse nuk kishte karakter
përmirësues. Kjo pjesë e dorëshkrimit nuk i
është kthyer shtëpisë botuese dhe as autorit
sepse është redaktuar nga disa duar autoritare
dhe përmban anëshkrime të tyre.

Redaktimet në Dorëshkrimi i romanit “Dimri i madh”,
zyrat e aparatit fragment, pjesë që iu kërkua autorit t’i
të komitetit shtonte dhe më pas thuajse nuk u lejuan
qendror të botoheshin
Jo, nuk ishte puna se ai e kishte bërë vetë atë
rrugë dhe kishte hyrë vetë nëpër portën e
Nënvizuar fjala kështjellës së magjepsur. Në këto balada
“ridime- kishte diçka të veçantë: e gjithë ngjarja e
nsionohej” dhe madhe, që kishte tronditur botën, në duart e
shënuar: “shqip”. eposit popullor po ridimensionohej. Si
mjeshtër i rithirrur në detyrë, eposi po
Nënvizuar fjalët: përgatitej për përjetësimin e ngjarjes.
“sarko-fagu” dhe Sarkofagu mijëvjeçar ishte gati, por ngjarja,
“ngjarja”. para se të vendosej atje, duhej balsamosur.
Kjo ishte një teknologji e vjetër, gati
misterioze, e cila ishte e aftë që gjithçka që
Gjithë ky paragraf ndodhte përreth, miliona fjalë njerëzore,
ka anash një biseda, artikuj gazetash, mitingje, orare,
pikëpyetje të afishe shfaqjesh, pllakate, fjalime etj. etj., ta
madhe. përpunonte në një mënyrë të vetën, pra, ta
thjeshtësonte ngjarjen pa e varfëruar, t’i
hiqte pjesët e buta, të vdekshme, ta
gurëzonte duke e bërë kështu të
paprishshme nga asnjë rrebesh.
Këtë mjeshtëri nuk e dinte askush veç e veç.
Ata e dinin të gjithë bashkë pa e ditur aq vetë
E gjithë poezia se si.
përmban një Besniku gjeti një vjershë tjetër, të ngjashme
pikëpyetje të me të parën (fl. 682):
madhe anash. Në Gjithë rreth e rrotull jemi
anësoren e Lidhur me traktat Varshave.
djathtë gjendet Po shqiptarët ku i kemi,
shënimi: “Kujt i Shqipërinë e kalave?
vjen keq?”. Vargu
“Iku, iku motr’ e Iku, iku motr’ e vogël,
vogël” është i Ne mbetmë këtu, n’acar,
nënvizuar. Vargu i Topi car na rri mbi kokë,
fundit ka një Na shurdhon këmbana car.
pikëçuditje anash.
Për një çast atij iu duk se kapi një nga
elementët e procesit të fshehtë të
Nënvizuar balcamimit. Ishte thjeshtimi i gjërave gjer në
shprehja “të atë shkallë saqë shtetet mund të flisnin e
fshehtë të shaheshin si gratë. S’ke turp të turpërohesh,
balcamimit”. BRSS, goxha vend dhe bën të tilla turpe!
Ishte po ai kod që e kthente Kremlinin në
Nënvizuar fjalët: shtëpi besëprerëse dhe e tkurrte kampin
“shte-tet”, socialist gjer në kufijtë e një katundi. Në këtë
“gratë”, “BRSS, katund s’ishte ndonjë çudi që Çekosllovakia
goxha vend”. t’i kërkonte një dorë miell hua Hungarisë, ose
Fjala “gratë” Polonia të shpifte për Mongolinë.
është nënvizuar Shumica e baladave ishin për mbledhjen e
dy herë. Gjithë Moskës:
paragrafi ka një
pikëpyetje të Sallë e Gjeorgjit, moj sallë,
madhe anash. Ç’hata atë ditë pe!
Komunizmin e përçarë,
Gjithë poezia ka Dhe një yll që shndrit në re.
një pikëpyetje
anash. Vargu i Duke lexuar më tutje Besniku qeshi me zë.
dytë dhe i tretë Ishte një portret i mrekullueshëm i Hrushovit:
janë të nënvizuar.
Ç’deshe luftën që e nise,
Veten në turp pse e lave,
Hrushov Nikita i misrave
Me Shqipërinë e kalave!

(fl. 683) Kishte shumë vjersha për Pasha
Limanin dhe për Zheleznovin që ikte i futur
në nëndetëse. Fjala “Pasha-liman” rimohej
zakonisht me “hatanë” dhe “Selam Musanë”.
Nënvizuar fjalët Midis vjershave për bazën njëra ishte disi e
“hata-në” dhe çuditshme, dhe, siç dukej, e pambaruar:
“Selam”. Dy
vargjet kanë O radar i lig, dritat hap e mbyll,
pikëpyetje anash. Njërin sy të kuq, tjetrin sy jeshil!
Janë nënvizuar
fjalët “të kuq” Ndihej menjëherë se si, duke u përgatitur për
dhe “sy jeshil”. t’u marrosur në thellësitë e kombit, ngjarja
kapërcente sferën e marrëdhënieve midis
shteteve dhe partive. Ajo dilte nga gjysma e
dytë e shekullit të 20-të, ku kishte ndodhur,
Nënvizuar për t’u shtrirë në kohën e përgjithshme.
shprehja “për t’u Besnikut iu kujtuan isot e Skënder Bermemës
marrosur”. Gjithë dhe hapi sirtarin për t’i nxjerrë. Ishte po ai
paragrafi me Kremlin i zymtë, me kullat në qiell, si një
pikëpyetje. shtëpi shtrige, në portat e së cilës bënin roje
dy qenie përbindëshore: topi-car dhe
këmbana careane. Me siguri dikush do t’i
kishte treguar për baladën. Përveç isove, ai
kish shkruar një “fillim kënge”, që Besnikut i
Gjithë paragrafi, pëlqente më shumë se isot. “Mblidhuni të
fund e krye, ka gjithë këtu (fl. 684) ju ustallarë që ndërtoni
pikëpyetje dhe kështjellën e Rozafatit, lerini pak çekiçët
pikëçuditëse. mënjanë; ti, Kostantin, që je ngritur nga varri
Fjala “shtri-ge” për të mbajtur fjalën e dhënë, mbaje pak
është e kalin; ju krushq e kësollëtarë kudo qofshi,
nënvizuar. lereni këngën a vajin, afrohuni të gjithë këtu
të dëgjoni ç’i ka ndodhur Shqipërisë!...
Afrohuni të merrni vesh ç’i ka ndodhur
Shqipërisë, përsëriti me vete Besniku. Kishte
diçka ngjethëse në këtë frazë!
Shqipërisë i kishte ndodhur diçka, por ishte e
vështirë të thoshje nëse ishte e keqe apo e
mirë kjo gjë. Si gjithë gjërat e mëdha, ajo
Gjithë paragrafi, ishte përtej kufijve të të dyjave. Shqipëria
fund e krye, ka ishte rishtas shtatzënë me diçka të madhe.
pikëpyetje dhe Ashtu si disa herë gjatë jetës së saj të gjatë.
pikëçuditëse. Sa herë që i kishte ndodhur kjo, Shqipëria
kishte pësuar ndryshime tronditëse. Gjaku i
Gjithë paragrafi, saj, gjëndrat, humori, nervat, psikika, madje
fund e krye, ka dhe sytë e rrudhat dhe gjithçka tjetër, po
pikëpyetje dhe trazohej tani prapë ashtu si atëherë kur fatit
pikëçuditëse. të saj i qenë afruar stërshtetet. Ndeshjet me
Pikëpyetja to ia kishin rritur përmasat edhe atëherë kur
përsëritet në dukej se trupi i saj qe mpakur nga goditjet.
fund. Janë (fl. 685) Besniku akoma e kishte mendjen atje
nënvizuar lart, tek ato që kish lexuar. Ai mendonte se
shprehjet: asnjë ngjarje e madhe e një populli nuk fillon
“Shqipërisë i kurrë papritur. Për sfidimin e BRSS Shqipëria
kishte ndodhur kish kohë që kishte filluar të përgatiste veten.
diçka”, “nëse Kjo përgatitje e ngadaltë kishte nisur njëqind,
ishte e keqe apo katërqind apo ndoshta një mijë vjet më parë.
e mire”, Dhe qysh një mijë vjet më pare Shqipëria
shtatzënë me kishte nisur përgatitjen e gjeneratës
diçka” dhe njerëzore që do të mbante mbi shpatulla
“stërshtetet". ngjarjen epokale, si dhe udhëheqësin që do
t’i printe asaj.
Paragaf me (fl. 490) … po bëheni gati të vdisni
pikëpyetje fund e bashkërisht sipas rregullave të marksizmit.
krye. Nënvizuar Ndoshta, i qe përgjigjur ai. Vetëm se ne nuk
shprehjet: “Për lëmë askënd në baltë. Ai që troket tek ne,
sfidimin e BRSS qoftë dhe në natën më të zezë e më të uritur,
Shqipëria kish nuk mbetet kurrë jashtë. Tjetri kishte tundur
kohë që kishte kokën për një kohë të gjatë. Pastaj, duke u
filluar të ngritur, kishte thënë: “qofshi ju!”.
përgatiste veten”, Materiali tjetër ishte një relacion i hollësishëm
“një-qind, për heqjen e gradave në ushtri dhe për uljen
katërqind apo e pagave të kuadrove të larta të partisë dhe
ndoshta një mijë të shtetit. E kishte kërkuar një ditë më parë.
vjet më parë”. Shtypi kishte disa ditë që shkruante për to,
por akoma nuk ishte marrë ndonjë vendim.
Shkrimi i dorës Ato duhej të ishin hapat e parë drejt një
redak-tuese të aksioni të madh për shburokratizimin e
kësaj pjese shtetit dhe të partisë. Qysh në vitet e rinisë e
ndryshon. Në të ilegalitetit, kur, duke lexuar Leninin, Enver
krye është shtuar Hoxha kishte ndeshur në merakun e tij
titulli “Mbi luftën kundër rrezikut të burokratizmit, mendonte:
kundër vërtet ky ishte një hall kaq i madh për
burokratizmit”. revolucionin? Ishte një hall që për Shqipërinë
Në krye është qendronte ende larg, prapa horizontit plot
shprehja “Jo!”. Ka mjegull. Përpara ishin vitet e luftës për liri, në
dhe nënvizime. male s’kishte akoma asnjë nëpunës
Në gjithë komunist, kishte vetëm tre-katër telefonë me
anësoret majtas dorezë, kurse shkresat ishin fare të rralla. Por
paragrafi ka kështu ishte në fillim. Më vonë, në vitin e
pikëpyetje një parë të çlirimit, dhe më pas, përherë e më
mbi një. tepër, nisi të duket qartë se ç’vështirësi
Gjithashtu ka kolosale kishte ndërtimi i shtetit të
shënime të punëtorëve.
palexue-shme, ku (fl. 491) Por shkresurinat ishin a-ja. Pas tyre
mund të vinte një armatë e tërë rreziqesh, njëri më i
deshifrohen keq se tjetri. Aherë ai e ndjeu plotësisht
shprehjet: “jo merakun e madh të Leninit. Ai hall, me siguri,
shteti, por ia kishte helmuar atij ditët e fundit. Meraku
administrimi”, kundër burokratizmit. Idetë e komunizmit do
“udhëheqësi”, të atakoheshin ndonjë ditë me shtetin e vet!
“ndërtimi i shtetit Kjo pritej prej kohësh. Komunizmi ishte më i ri
u bë që gjatë …” se vetë rinia. Kurse shteti qe i vjetër. Dhe ja,
Janë nënvizuar disa vite pas takimit ndodhi ajo që pritej:
shprehjet: korraca e shtetit, këmishë e hekurt, arkaike,
“relacion i filloi të vriste vende-vende komunizmin. Gjer
hollësishëm”, në një farë shkalle kjo ishte e natyrshme.
“por akoma nuk Mijëra vjet e ndanin njeriun prej paraardhësit
ishte marrë të vet, majmunit antropomorf. Megjithatë,
ndonjë vendim”, herë pas here mbi qenien e tij shfaqeshin
“aksioni të madh atavizmat përbindëshore. Kurse shtetin
për socialist nuk e ndanin veçse pak vite nga
shburokratizimin majmunët e vet. Egërsia e tyre, kreshpërimi i
e shtetit dhe të verbër, qimet e llahtarshme mbi gjymtyrë, do
partisë”, “akoma të shfaqeshin aty-këtu, në mënyrë të
asnjë nëpunës frikshme, për një kohë të gjatë. Dhe për një
komunist”, “tre- kohë të gjatë klasa punëtore do të luftonte
katër telefonë”, me to për jetë a vdekje. Ajo do të luftonte me
ndërtimi. burokracinë shtetërore. Do të rrëzonte çdo
mantel sundimtarësh nga supet e zyrtarëve
të vet të lartë dhe, po të ishte nevoja, pas
Në këtë fletë dhe manteleve do të rrëzonte edhe të zotët e
në ato vijuese ka tyre. Atje në Moskë, herën e fundit, i kishte
disa shkrime parë dhe nuk i kishte njohur ish-militantët e
dore. revolucionit të shndërruar në burokratë të
Anëshkrimet nuk ftohtë. Shndërrimi kishte qenë i frikshëm. Por
mund të ai s’kishte ndodhur brenda një nate. Procesi i
deshifrohen të përçudnimit kishte qenë i gjatë, i
gjithë. Në krye stërmundimshëm: luftë me ndërgjegjen,
lexohet shprehja lëshime, kurthet e privilegjeve,
“të cilit shtet”. Më nomenklaturave, protokolleve, arrogance e
poshtë lexohet grave dhe e fëmijëve, zilia, thashethemet për
qartë: postet, rrogat, makinat, ai ka “zim”, ti mbete
“Aludimi?!”. me “vollgë”, po konstruktohet një veturë e
Gjithë faqja ka re, për kë, për ç’rang, me ç’emër, më duket
plot pikëpyetje, se do të ketë emrin e një zogu: çajka,
pikëçuditje, dallëndyshja, korbi; pse s’thua më mirë
shenja të tjera vampire, vetura “vampir”.
nervoze, Epidemia frynte si një erë e ngrohtë mbi
nënvizime pa gjithë hapësirën e kampit të madh socialist.
fund, gati në tërë (fl. 492) Revolucioni po zinte dhjamë. Mbi
tekstin. trupin dyzetvjeçar të Bashkimit Sovjetik po
Nënvizime që dilnin thinjat e perandorisë. Era që kishte
shprehin përshkuar Moskën, Varshavën, Pragën, nuk
qendrim: “atij kishte lënë pa prekur sado rrëshqitazi
ditët e fundit”, Tiranën. Ndihej prirja e rretheve liberale dhe
“idetë e burokratike për të krijuar kastë. Prej vitesh
komunizmit do të kishte qenë ngashnjimi i tyre i përbashkët. Në
arakoheshin një fillim mospërfillje për klasën punëtore, pas së
ditë me shtetin e cilës nuk pritej veçse kasaphana. Nga një
vet”, “koraca e pikëpamje kjo ishte vepër e thjeshtë: ata
shtetit, këmishë e donin t’i merrnin klasës punëtore atë që ia
hekurt, arkaike”, kishin marrë me shekuj të gjithë sundimtarët:
“nga majmu-nët e mbivlerën. Pra, e gjithë kjo s’ishte veçse
vet”, “mantel vazhdim i epopesë së përgjakshme me të
sundimtarësh”, mbivlerës. Përpara saj zbeheshin të gjitha
“të zotët e tyre”. sagat dhe iliadat: Mbivleriada! Me sa duket,
mbasi të kalonte nëpër qindra barrikada lufte,
fati i kishte ruajtur klasës punëtore edhe një
luftë të fundit, të tmerrshme: ndeshjen me
burokracinë e vet. Lufta e klasës punëtore me
burokracinë në socializëm ishte tragjike,
përderisa në këtë periudhë klasa punëtore
kishte mundësi të pësonte disfatë.
Duhej goditur pa mëshirë me çdo shenjë
kaste. Do të bënte çmos për këtë. Do të
krijonte një stuhi qarkulluese të kuadrove, të
drejtën për të kritikuar hapur dhe publikisht
cilindo autoritet, do të rikrijonte kontrollin
punëtor leninist. Dhe, po të ishte nevoja, do
të shkonte edhe më larg: do t’ia bënte të
Pikëpyetje dhe qartë klasës punëtore, gjithë popullit, se
pikëçuditje të partia nuk ka të drejta të pakufizuara. Një
shumta në gjithë copë herë ky mendim e përpiu krejt.
faqen. Ka disa Ai u kthye tek tryeza dhe vazhdoi leximin e
ançshkrime, Në relacionit. Do të hiqeshin gradat. Të
fund gjendet një spastrohej ushtria e shtetit të punëtorëve (fl.
shënim i 493) e të fshatarëve nga gjithë ato lajle e
pazbërthyeshëm lule, yje e shirita ari e qendisma, dhe profka
për kontrollin të tjera, një bizhuteri e tërë mbretërore që
punëtor, ku mund mbante erë myk dhe egërsi. Të mbeteshin
të lexohen fjalët vetëm ushtarët, komandantët dhe komisarët,
“ky … u vendos si në Komunën e Parisit dhe në vitet e luftës
është kontrolli i partizane. Kjo nuk ishte kaq e thjeshtë. Do të
drejtpërdrejtë binin mijëra shenjëza e yllëze, si një stuhi
punëtor”. Thuajse yjesh. Do të ish një pikëllim i madh për
gjithë teksti është shumë njerëz. Bota pas kësaj do t’u dukej pa
nënvizuar. shije. Aq më mirë, mendoi ai.
__________
1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1976, D. 552, fl. 38-68.
2. Janë sekuestruar e mbajtur në pronësi të arkivit të PPSH
fletët 283-288 (me titullin administrativ “Përshkruhet
mbledhja e komitetit qendror të partisë pas kthimit të
delegacionit nga Moska”); fletët 314-320 (me titullin
administrativ “Vazhdon përshkrimi i mbledhjes së komitetit
qendror të partisë”); fletët 466-468 (pa titull zyre); fletët 490,
492, 498 (edhe këto pa titull zyre); fletët 679-685 (që mbajnë
titullin e autorit “Kapitulli i fundit, iso për të gjitha pjesët” dhe
nëntitullin administrativ “Në krejt kapitullin ka motive për
shokun Enver”); si dhe fletët 490-493, daktiloshkrim i
ndryshëm prej të parit (me nëntitullin administrativ “Mbi
luftën kundër burokratizmit”). Një pjesë e mirë e këtij
dorëshkrimi as u botua dhe as iu kthye autorit.
3. Sipas rregullave të ruajtjes së dokumenteve në veprimtarinë
e institucioneve të partisë së punës, “shkresat” e ardhura,
sikurse mund të jetë vlerësuar dhe dorëshkrimi i Kadaresë,
mbaheshin për efekt arkivimi kur shënimet mbi to
konsideroheshin shprehje qendrimi politik dhe zyrtar.
4. Pjesa e dorëshkrimit të sekuestruar ka një numërtim të ri të
faqeve prej arkivistëve, që ndjek progresivisht renditjen 39-68.
5. Dorëshkrimi paraqet interes të posaçëm për studime të
tekstologjisë kritike, sidomos për të dalluar kompetencën që i
njihnin vetes përfaqësuesit e institucioneve partiake për të
ndërhyrë drejtpërsëdrejti mbi një vepër letrare. Këtu nuk
bëhet fjalë për kufizim teorik të lirisë, por për veprim praktik
mbi lirinë krijuese, deri tek shtetëzimi i dorëshkrimit.
6. Dorëshkrimi, në gjendjen e fundme i ngjan një palimpsesti
modern, ku duar të ndryshme kanë mbishkruar e anëshkruar
vullnete të ndryshme prej tekstit parësor të autorit.
7. Shënimet janë një dëshmi më vete, e shprehur me mjete të
tjera, jorelatuese, e vigjilencës, kontrollit dhe dyshimit mbi një
vepër letrare. Edhe nga pikëpamja formale në këtë rast janë
marrë përgjegjësitë, të drejtat dhe atributet e botuesit. Kjo
është krejt kundërthënëse me çka shkruhet formalisht në një
udhëzim të F. Çamit disa vite më vonë, që “shtëpia botuese të
zbatojë rregullat si për gjithë të tjerët, të bëjë vërejtjet e veta
dhe pastaj ta pranojë për botim ose ta refuzojë, duke i
shpjeguar autorit arsyet e mosbotimit”.
8. Vijim i së njëjtës dosje, me të njëjtit tregues arkivistikë, ku
ruhet relacioni “për vërejtjet e shoqes Nexhmije”, 1977.
DOKUMENTI NR. 18:

“Vërejtje për shprehje që gjenden në roman:
“shumica do të miratonin“, “ç’kish bërë
delegacioni“, “kryetari i komisionit të
revizionimit“, “syri i heroinës“, “disidentja e
byrosë politike“, “Shqipëria vdiq, ngushëllime“,
“qelqi në formë syri“, “gjysma e komitetit
qendror dhe e byrosë“, “shkrimtarët, filozofët“,
“rusizmat“, “kundërshtarët e tjerë“, “lyer buzët
me të kuq e varur vathë“, “të rëndë e barbarë“,
“Ibarruri“, “mondanëri komuniste në pritjet
qeveritare“, “tualet politik“.

Shoqja Nexhmije ka këto mendime, pasi e pa1:
1. Figura e shokut Enver duhet të dalë strikt dhe vetëm kur është
e domosdoshme.
2. Nuk duhet lejuar që figura e shokut Enver të dalë e shkëputur
nga udhëheqja e partia, apo mbi udhëheqjen, apo sikur nga lart
mendon e vendos vetë ai për popullin.
3. Në gojën e shokut Enver nuk duhen vënë çfarëdo filozofimesh
e gjëra me dy kuptime.
Kujdes duhet treguar të mos ketë shtrembërime të vijës e
njëanshmëri.
Pjesa e shtuar për shokun Enver mbase në shumicën e saj nuk do
pranuar. A ka nevojë të shtohet kjo pjesë? Mbase pjesët për
Lirinë, Koçon e Maqon nuk duhen2.
Shoqja Nexhmije ka edhe këto vërejtje konkrete:
- Do parë titulli i romanit.
- Në fl. 282: të hiqet shprehja “për të mirë” dhe përshkrimi
“rreth e rrotull jemi”, në gojën e shokut Enver3.
- Në fl. 283: (të hiqet) shprehja: “komiteti qendror do t’ju
hidhet në grykë” dhe “profecia”
- Në fl. 284: (të hiqen) shprehjet: “pleq dinakë” dhe “të
pambrojtur”.
- Në fl. 285: krahasimi i ftohjes me kthimin e epokës së
akullnajave (!).
- Në fl. 286: të hiqet paragrafi për ndërlidhjen, sekretin.
- Në fl. 287-288-314: vërejtje për (shprehje që gjenden në)
tërë faqet: “shumica do të miratonin“, “ç’kish bërë
delegacioni“, “kryetari i komisionit të revizionimit“, “syri i
heroinës“, “Shqipëria vdiq, ngushëllime“, “qelqi në formë
syri“, “gjysma e komitetit qendror dhe e byrosë“,
“shkrimtarët, filozofët“, “rusizmat“, “kundërshtarët e tjerë“,
“lyer buzët me të kuq e varur vathë“, “të rëndë e barbarë“,
“Ibarruri“4.
- Në fl. 315: vërejtje për shprehjet: “mondanëri komuniste në
pritjet qeveritare“, “tualet politik“. Të hiqet pjesa për
“vajzën ilegale të veshur si zonjushë mondane“.
- Në fl. 316: vërejtje për shprehjet: “disidentja e byrosë
politike“ dhe “sandviçët“.
- Në fl. 317: vërejtje për shprehjet: “mbi nënën nuk hidhet
baltë“, “anëtarja e byrosë politike“, si dhe shprehjet:
“kërcënues“, “i panatyrshëm“, “kësaj vajze“.
- Në fl. 318, 319-320: vërejtje për gjithë faqet, për shprehjet:
“anëtarja e byrosë që kish në brigadë“, “si një borgjeze“,
“ringa-zhinga“, “grupi kundërshtar“, “profecia e
kundërshtarëve“, “partia nuk do të jetë dakord me
komitetin qendror“, “grupi i disidentëve“, “as himn, as lule
s’presim më“, “këngë vajtimi“ (për “Dalngadalë po vjen
behari“), si dhe pjesa për Maqo Çomon.
- Në fl. 467: vërejtje për shprehjet: “ikje e papritur, pa
muzikë, pa flamur“, “ejani për gjah“.
- Në fl. 468, 490-492: vërejtje për shprehjet e përdorura për
burokratizmin dhe gradat, në gjithë faqet, si dhe për
shprehjet: “bizhuteri e tërë mbretërore“, “stuhi yjesh“.
- Në fl. 498, gjithë faqja5: përshkrimi i hallë Xhemos që del
për borxhe dhe përmendja e shokut Enver që do të dalë për
borxhe e kredi në shtete të ndryshme të Europës.
- Në fl. 679: djegia e Kremlinit dhe Bjeshkët e Nëmura mbase
mund të mbeten në imagjinatën e ndonjë malësori plak.
- Në fl. 681: vërejtje për shprehjet “sarkofagu“ dhe “folklori“.
- Në fl. 682: vërejtje për tërë faqen - poezia “Iku motër e
vogël“, balsamimi, shprehja “shaheshin si gratë“, poezia për
sallën “Gieorgievskaja“.
- Në fl. 682: vërejtje për shprehjet: “sy i kuq, sy jeshil“, “për
t’u marrosur në thellësitë e kombit ngjarja kapërcente
sferën e marrëdhënieve të të gjithë shteteve“, “Kremlini -
shtëpi shtrigë“.
- Në fl. 684: vërejtje për tërë faqen: “Shqipërisë i kishte
ndodhur diçka, por ishte e vështirë të thoshje nëse ishte e
mirë apo e keqe“, “provincë fantazmë“, “antimaterie“,
“Siberia“.
- Në fl. 685: vërejtje për shprehjen “për sfidimin e BRSS
Shqipëria kish filluar të përgatitej qindra e mijëra vjet më
parë“. Ky krahasim mund të bëhet për pavarësinë dhe jo
për marksizëm-leninizmin e socializmin“. Të hiqet fraza
“përgatitja e udhëheqësit“6.
- Për pjesën për burokratizmin ka shumë vërejtje për të
tërën7.

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 552, Viti 1976, fl. 31-32.
2. Në fl. 32 gjendet shënimi me shkrim dore: “dy të dërguarit
në TV”, “gradat, burokratizmi”, si dhe një shprehje e
palexueshme, që i takojnë një dore tjetër.
3. Në tekst gjenden gjithashtu shënime miratimi për vërejtjet e
autores, ose theksimi të tyre.
4. Nuk përmban shënime që të tregojnë një praktikë të
arkivuar (mbyllur).
5. Nga pjesa e dytë e relacionit duket se vërejtjet janë
tejshkruar nga punonjës të sektorit të shtypit të aparatit të
komitetit qendror.

__________
1. Romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, variant i ripunuar. Vërejtjet
janë të daktiloshkruara. Nuk saktësohet kush e ka hartuar
dokumentin. Në tekst ka mjaft nënvizime të nëpunësve që janë
njohur me vërejtjet. Gjithashtu në fl. 32 gjendet edhe një shtesë me
shkrim dore, që mund të jetë i specialistëve të ish-institutit të
studimeve marksiste-leniniste, i atyre të sektorit të edukimit, të
kulturës apo të ndonjë sektori tjetër. Fakti që dorëshkrimi është
lexuar dhe u është nënshtruar kërkesave për redaktim, deri
gjuhësor, të N. Hoxhës, është një shprehje tjetër e ushtrimit të
kontrollit politik mbi letërsinë. Në këtë rast atributet e botuesit i
janë marrë botuesit dhe u janë bartur funksionarëve të lartë politikë.
2. Liri Belishova, Koço Tashko e Maqo Çomo.
3. Referencat janë për dorëshkrimin.
4. Midis shprehjeve të cituara rregullisht ka reticenca.
5. Të hiqet apo të rishkruhet?! Vështirë për t’u kuptuar.
6. Vërejtjet që përmban ky dokument përputhen plotësisht me
vërejtjet që gjenden në anësoret e dorëshkrimit të ruajtur.
7. Nuk ka një datë të saktë të shënuar në dokument. Por gjendet i
bashkëlidhur me dokumente të tjera të së njëjtës dosje, të vitit
1977.

DOKUMENTI NR. 19:
“Në roman përshkrimi i ndarjes së rrobave të
studentëve që ishin në Moskë është dhënë me
nostalgji. Vepra ka shprehje të tilla, si: “Mjaft
me sakrifica për revolucionin botëror, le ta
marrë djalli politikën, le të bëhemi shtet neutral
si Zvicra”.

Në romanin e aprovuar për botim nga shtëpia botuese “Naim
Frashëri”, nga A. Kondo dhe D. Agolli, sektorit të shtypit i tërheqin
vëmendjen dhe mendon se duhen riparë edhe pjesët, idetë dhe
shprehjet e mëposhtme1:
- Të hiqet titulli (shprehja) “Bar Përmbytja”.
- (Të hiqet pjesa ku) “shoferët sjellin në klub një idiote që
këndon këngë dashurie”.
- Në rrugë shihen somnambulë, fytyra njerëzish të ngjashme
me asgjë, struktura të përjetshme mishi e kocke jashtë
kohës, një psikopat i arratisur nga spitali që shkul tabelën e
autobuzit, fshesaxhiu që arrestohet nga policia pse ka
përmjerë pemën e miqësisë (në kohën që kjo ruhej nga
autoritetet) dhe i thotë fshesës “kurvë” dhe Hrushovit “bir i
kurvës”.
- Besnikut si personazh pozitiv i janë veshur shprehje të tilla,
si: “unë jam i vdekur, po të marr në telefon nga vdekja”, “e
ndiente se nuk ishte në radhët e komunistëve të besuar”.
- Beni, një tjetër personazh pozitiv, kur humb Irisin, thotë se
“humba gjithçka, tani jam gati të vrapoj në mbledhje pa
fund, në punë vullnetare, në hapje tokash të reja”.
- Mira 16 vjeçe shihet në pasqyrë nëse buzët e saj kishin
pësuar ndryshim pas puthjes.
- “Qenia e vajzës është hapësirë pa fund për lumturi”.
- Skandali i bujshëm i balerinës V. V., për të cilën mblidhet
një javë organizata e frontit.
- “Unë me shokët e mi çekë ia merrnim vajzat njëri-tjetrit”.
- Përshkrimi i ndarjes së rrobave të studentëve që ishin në
Moskë është dhënë me nostalgji.
- Tipizimi i kritikut letrar që pasi prishen marrëdhëniet me BS
fillon studimin e dy botimeve kineze (“tani duhet të
mësojmë dhe kinezçe, ku i gjetën këta kinezët, shkretëtirë e
Gobit”).
- Përgjithësimi artistik i figurës së kryeredaktorit, ku del një
ambasador që i pëlqejnë pritjet në ambasadat revizioniste,
që ëndërron për fitore të komunistëve në parlamentin
francez, që pamja e ambasadorit jugosllav i shkakton një
keqardhje helmuese.
- “Enver Hoxha thoshte se nuk mësohet dot me cirilike”.
- “Më jepni një rrezik dhe më shihni se cili jam. Ajo ku
komunisti shfaqet i gjithi është rrezikimi i revolucionit”.
- “Mjaft me sakrifica për revolucionin botëror, le ta marrë
djalli politikën, le të bëhemi shtet neutral si Zvicra” - ky
personazh më pas bën autokritikë.
- Një komunist, kryetar i shtabit të përmbytjes, i shan njerëzit
duke thënë: “titist, më duket se do të tredh ndonjë sot”.
- Duke folur për dublimin e rojeve në Pasha-Liman thotë: “Ata
ishin hibridë të jashtëzakonshëm, njerëz me katër duar e
katër këmbë, perëndira hindiane, krishma me shumë
gjymtyrë”.
Shënim: Këto vërejtje tonat2 janë të shkëputura nga konteksti,
pasi ne nuk e kemi lexuar romanin.

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1976, D. 552, fl. 33-34.
2. Nuk përmban asnjë shënim të ndonjë autoriteti partiak.
3. Renditet kronologjikisht duke iu referuar vitit që gjendet në
përshkrimin e dokumenteve në ballinën e dosjes.

__________
1. Duket si pjesë e parë e relacionit për vërejtjet e N. Hoxhës. D.
Agolli ishte redaktor i romanit për të cilin flitet në relacion (“Dimri i
vetmisë së madhe”), ndërse A. Kondo në atë kohë drejtonte sektorin
e kulturës në aparatin e komitetit qendror. Nuk ka adresë se kujt i
drejtohet, por, duke pasur trajtën e raportit, nënkuptohet se është
hartuar së paku për instancën e burimit të varësisë, sekretarin e
komitetit qendror të ngarkuar për ideologjinë R. Alia. Në tekst nuk
gjenden shënime të këtij të fundit.
2. Vërehet se relacioni është përgatitur nga një grup punonjësish
(“ne”), të cilët nuk kanë nënshkruar me emra, por në emrin e zyrës.
Tërheq vëmendjen fakti se vërejtjet e grupit të punës i relatohen një
autoriteti më të lartë pa e pasë lexuar vetë romanin!

DOKUMENTI NR. 20:

“Ju dërgoj për t’u riparë edhe një herë nga ana
juaj pjesët ku Ismaili (Kadare) përshkruan dy
mbledhjet e komitetit qendror të partisë”.
Tiranë, 12.1.1977
Shoku Miti1,
Po ju dërgoj për t’u riparë edhe një herë nga ana juaj pjesët ku
Ismaili përshkruan dy mbledhjet e komitetit qendror të partisë.
Ne të katër2 u mblodhëm dhe arritëm në këtë konkluzion.
Po kështu lidhur me titullin e romanit, kemi rënë dakord që të
quhet “Dimri i madh”.
Ju lutem na jepni përgjigje për këto dy çështje. Për çështjet e
tjera, d.m.th. për vërejtjet që i kishit bërë ju, autori ka reflektuar
dhe i ka realizuar.
Në frontespic: “Dimri i madh”, i ripunuar.
Thanas Leci3

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1977, Lista 22, Dosja
552, fl. 35.
2. Letra ruhet në dorëshkrim. Nuk ka shënime të nëpunësve që
janë njohur me të, përveç shënimit në anësoret majtas të tre
probemeve me numra arabë, për tërheqje vëmendjeje.

__________
1. Miti Tona, në atë kohë drejtor i drejtorisë së shtypit në aparatin e
komitetit qendror.
2. Nuk është e qartë se cilët janë “ne të katër”.
3. Ish-drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”.

DOKUMENTI NR. 21:

Romani “Dimri i madh” (“Dimri i vetmisë së
madhe”) i shkrimtarit Ismail Kadare është
shtypur i tëri në 25 mijë kopje. Por ditët e fundit
nga ana e komitetit të partisë të Tiranës ka
ardhur një vërejtje për dy rreshta dhe insistohet
që romani të mos dalë në qarkullim para se këto
rreshta të hiqen patjetër: “E pse të mërzitesh, -
ndërhyri Çlirimi, - atje në Vançesllav unë dhe
shokët e mi çekë ia merrnim e ia jepnim vajzat
njëri-tjetrit çdo javë”.

Tiranë, 17.02.1977.
Informacion 1
Shoku Ramiz2,
Na falni që ju shqetësojmë për një çështje, por ne mendojmë se,
meqë puna ka ngecur në këtë çështje, detyrohemi t’u drejtohemi
juve.
Romani “Dimri i madh” (“Dimri i vetmisë së madhe”) i shkrimtarit
Ismail Kadare, pas shumë ndryshimeve e rregullimeve që i janë
bërë nga autori, në bashkëpunim me redaktorin, shokun Dritëro
Agolli, shokun Anastas Kondo dhe shtëpinë botuese “Naim
Frashëri”, është shtypur i tëri në 25 mijë kopje.
Por ditët e fundit nga ana e sekretarit të komitetit të partisë të
Tiranës sh. Xh. Gjoni, ka ardhur një vërejtje për dy rreshta dhe
insistohet që këto të hiqen patjetër.
Konkretisht flitet për dy rreshta të faqes 513:
“E pse të mërzitesh, - ndërhyri Çlirimi, - atje në Vançesllav unë
dhe shokët e mi çekë ia merrnim e ia jepnim vajzat njëri-tjetrit
çdo javë” (“Dimri …”, fl. 51)4.
Këto rreshta merren krejt të shkëputur nga teksti para këtyre
rreshtave dhe fill pas tyre. Vazhdimi i tekstit është ky:
“Beni bëri një gjest padurimi: - Na mërzite me atë Vançesllavin
tënd, - tha. - S’ke ndonjë bisedë tjetër?” Çlirimi prishi buzët, por
nuk u përgjigj” (“Dimri …”, fl. 51-52).
Mendojmë se kjo përgjigje e aty për atyshme jep një sqarim për
lexonjësin. Aq më tepër kur, pak më parë, dhe pikërisht në faqen
47, jepet një sqarim i plotë për figurën negative të Çlirimit, si një
bartës i një mënyre jetese revizioniste:
“Çlirimi, që ata e thërrisnin Vançesllav, buzëqeshi që larg. Ai
kishte studiuar një vit për gjeologji në Pragë, por e kishin kthyer
mbrapsht, ngaqë kishte ngelur. Në të vërtetë Çlirimit i kishte
lindur të parit ideja që ata të dilnin e të rrinin me orë të tëra në
Rrugën e Dibrës. Ai u tregonte se kështu kishte qendruar me
shokët e tij në sheshin Vançesllav në Pragë” (“Dimri …”, fl. 47).
Kështu që, përpara se t’i thotë ato fjalë në faqen 51, Çlirimi, qysh
më parë (në fl. 47), është i demaskuar përpara syve përpara syve
të lexonjësit. Rrjedhimisht fjalët e tij merren me sens kritik.
Më vonë, gjatë shtjellimit të subjektit, Beni bie në konflikt të
hapur me Çlirimin dhe rrugët e tyre ndahen përfundimisht.
Përveç arsyeve të mësipërme ne mendojmë se nuk ia vlen të
hiqen rreshtat e nënvizuar edhe për faktin se libri është shtypur.
Heqja e këtyre rreshtave do të thotë qëtë grisen 200 mijë fletë të
shtypura, gjë që do të sjellë një harxhim shumë të madh letre, si
dhe vonimin e botimit.
Për të gjitha këto arsye ne bashkohemi me mendimin e autorit,
që rreshtat e mësipërm të mbeten në roman5.
Dritëro Agolli, Anastas Kondo, Thanas Leci.

1. Ruhet në: AQSH, F.14/AP, Str., V. 1977, D. 552, fl. 36.
2. Nuk ka shënime të R. Alisë apo të ndonjë autoriteti tjetër
partiak.
__________
1. Titulli është i vetë dokumentit.
2. Ramiz Alia, ish-sekretar i komitetit qendror për ideologjinë.
3. Referencat janë sipas veprës së botuar dhe ende të paqarkulluar.
4. Për këtë shprehje kishin bërë vërejtje para botimit punonjës të
sektorit të shtypit të aparatit të komitetit qendror. Por romani nuk u
pengua të dalë, së fundmi, në qarkullim, pas afro katër vjetësh
vlerësimi e rivlerësimi.
5. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri” dhe në të
përditshmen “Zëri”, Prishtinë, dhjetor 2004.

DOKUMENTI NR. 22:

“Sipas një informacioni të kineastëve francezë,
amerikanët po përgatiten të bëjnë një film
komik me romanin “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur”. Bërja e filmit me kineastët francezë i
pengon amerikanët që ta bëjnë, prandaj duhet
të bëjmë të gjitha përpjekjet që filmi të
realizohet me francezët”.

Informacion
Për botimin në Francë të romanit “Dimri i madh”1

Para disa ditësh u kthye nga Franca Ismail Kadareja. Gjatë
qendrimit në Francë Ismaili mori kontakt me presidentin e
shtëpisë botuese “Fayard” dhe i dorëzoi dorëshkrimin e romanit
“Dimri i madh”.
Romani u lexua nga redaksitë përkatëse dhe u prit shumë mirë.
Ai hyri në proces dhe do të dale në shitje në muajin shtator.
Autori lidhi kontratën dhe nga shtëpia botuese iu dha shpërblimi
maksimal që japin francezët, 10-14 për qind. Këto lekë arkëtohen
në favor të shtetit.
Nga shtëpia botuese “Fayard” i është kërkuar Ismailit që, veç
fushatës që do të bëjë ajo vetë, për popullarizimin e romanit të
ndihmohet edhe nga ana jonë, nëpërmjet miqve që kemi në
Francë, për ta popullarizuar e mbrojtur, se mund të ketë edhe
rryma që do t’i kundërvihen.
Përsa i përket filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nga shoqëria
që e ka marrë përsipër ta xhirojë deri tani nuk është bërë asgjë
dhe shkaqet e vërteta nuk mundi t’i mësojë. Por me shoqërinë
Labrand-Kyperberg u përsërit kontrata. Këtë herë në kontratë u
caktua afati i fundmë për fillimin e xhirimit të filmit, në muajt
mars-shtator. Gjithashtu nga ata u pranua dhe u shënua në
kontratë se, duke filluar nga muaji shkurt, do të derdhin në
llogarinë tonë2 nga një mijë dollarë, në prill gjithashtu një mijë
dollarë, në shtator - dy mijë dollarë dhe në shtator-mars - pesë
mijë dollarë.
Për filmin do të bëhet skenar i ri dhe do të miratohet nga autori.
Skenaristët, regjisori dhe aktorët, me të cilët u takua Ismaili, janë
të gjithë të njohur. Në qoftë se këta do ta mbajnë fjalën dhe do të
fillojnë nga puna, lind nevoja që grupi i tyre prej 20-25 vetësh të
vijë për xhirime me shpenzimet e veta në Shqipëri3.
Sipas një informacioni të kineastëve francezë, amerikanët po
përgatiten të bëjnë një film komik me romanin “Gjenerali i
ushtrisë së vdekur”. Bërja e filmit me kineastët francezë i pengon
amerikanët që ta bëjnë, prandaj duhet të bëjmë të gjitha
përpjekjet që filmi të realizohet me francezët.
Nga të dhënat e ditëve të fundit del se menjëherë sa u nënshkrua
kontrata me sipërmarrësit francezë ndodhi diçka e habitshme:
pesë oferta të ndryshme janë bërë në shtëpinë botuese “Albin
Mishel” në Francë, në komitetin për marrëdhënie kulturore me
botën e jashtme dhe vetë Ismailit, nga shoqëri franceze dhe
italiane.
Shtëpisë botuese “Albin Mishel”, që është dhe botuesja e librit
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ofertën ia ka bërë Mishel Pikoli,
aktor shumë i njohur në Francë dhe kineast. Në rast se firma
“Labrand Kyperberg” nuk do ta mbajë fjalën që të fillojë nga
xhirimi i filmit në afatet e caktuara, kemi interes që të ndërhyjmë
tek shtëpia botuese “Albin Mishel”, e cila është jo vetëm e
interesuar për suksesin e filmit, por është e interesuar që filmi të
pasqyrojë romanin që ajo ka botuar dhe këtë film t’ia japë Mishel
Pikolisë, që njihet si artist i madh e realizues filmash të kësaj
gjinie.
Nga shtëpitë botuese “Hochet”4 dhe “Fayard” është kërkuar që
botimet tona të jenë më të shpeshta, në mënyrë që të mos ketë
pauza, sepse pauzat krijojnë harresa.
Për njohjen e letërsisë do të ndihmojë dhe botimi i një reviste të
letërsisë sonë në gjuhë të huaj5. Nga Lidhja e Shkrimtarëve i
është bërë propozim komitetit qendror për botimin e kësaj reviste
dhe së shpejti do të miratohet6.
Manush Myftiu
24.3.1978

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1978, Dosja 294, fl.
2-4.
2. Shkurtesa në titullin e dosjes: “Informacione të shokëve
Manush Myftiu dhe Ismail Kadare dërguar shokut Ramiz Alia
për botimin në Francë të romanit “Dimri i madh” dhe për
xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Informacioni i
I. Kadaresë, në fakt, nuk ka adresë se kujt i është drejtuar dhe
i takon një kohe të mëvonshme.
3. Informacioni shoqërohet me shënimin e autorit, në atë kohë
zëvendëskryeministër, i ngarkuar për arsimin, kulturën dhe
shkencën, ku thuhet: “Shoku Ramiz! Për dijeni, po ju dërgoj
një informacion lidhur me botimin në Francë të romanit “Dimri
i madh” dhe disa probleme që ka ngritur shoku Ismail Kadare
pasi u kthye nga Franca. Këtë informacion ia dhashë edhe
shokut Mehmet. Manush Myftiu, 24.3.1978”.
4. Dokumenti është nënshkruar për marrje dijeni nga R. Alia
më 28.3.1978, shoqëruar me shënimin “Sh. Hysni, për dijeni”.
5. Mban nënshkrimin e H. Kapos, që është njoftuar për
informacionin.
6. Megjithëse është shënuar “A.a” - akt për arkivim - më
1.4.1978. Eshtë arkivuar nga i njëjti pa shtesa shënimesh apo
porosish më 24.8.1978.

__________
1. Titulli i dokumentit në burim.
2. Në arkën e shtetit.
3. Nuk u vërtetua që autoritetet e shtetit shqiptar ta jepnin lejen për
xhirime në Shqipëri. Sikurse dihet, për ngjyresat e nevojshme
etnografike shqiptare autorët e filmit punuan me bashkësinë
arbëreshe në Itali. Në atë kohë diskutohej jopublikisht se novela
“Dosja H” në thelb nuk kishte të bënte me kërkimet e dy etnologëve
irlandezë në vitet 1930, por ishte thjesht një aluzion për refuzimin e
Mishel Pikolisë dhe të Marçelo Mastrojanit për realizimin e filmit të
tyre në Shqipëri. Por Kadare, i njohur më vonë me këtë paragjykim,
është shprehur se një gjë e tillë as që i kishte shkuar ndërmend!
4. “Hachette”.
5. “Les lettres Albanaises”.
6. Informacioni përmban edhe disa çështje të tjera, që nuk lidhen me
temën e librit. Të vërehet numri i madh i funksionarëve partiakë e
shtetërorë që janë vënë në dijeni dhe u është kërkuar mendim për
problemin, i cili, në fakt, nuk u zgjidh sikurse propozohet më sipër.

DOKUMENTI NR. 23:

“Ky tekst i ri, përfundimtar, është në çdo
pikëpamje shumë më i mirë nga teksti i
mëparshëm. Atje inkuadrohet shumë mirë
historikisht vepra, duke u përmendur tre shtetet
e mëdhenj me të cilët vendi ynë është ndeshur
gjatë historisë së tij: perandoria osmane, BRSS
dhe së fundmi Kina“.

Informacion1

Në muajin korrik 1978 shkova në Francë për dy probleme:
1. Çështjen e shënimeve shoqëruese (teksti në kopertinën e
prapme) të romanit “Dimri i madh“;
2. Çështjen e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“.
Shtëpia botuese “Fayard“ e kishte bërë gati kopertinën e librit
bashkë me tekstin e kopertinës së prapsme.
Gjysma e tekstit ishte e mirë dhe e prezantonte drejt romanin,
por, ashtu siç parashikohej, gjysma tjetër nuk ishte e mirë. Ajo
kishte fraza sensacionale, sipas stilit komercial, dhe ndonjëherë
jepte gjëra pa asnjë bazë për realitetin tonë.
Në takime të shumta e të njëpasnjëshme me shtëpinë botuese,
në mënyrë graduale, unë arrita që në fillim ata të hiqnin nga
teksti pjesën jo të mirë dhe ta zëvendësonim atë me tekst tjetër.
Pastaj, duke e parë se kjo punë doli me sukses, shkova më tej,
duke influencuar që të rishikohej krejt teksti. Kështu që, si
përfundim, teksti u bë krejt i ri (gjithmonë nga ata vetë). Ky tekst
i ri, përfundimtar, është në çdo pikëpamje shumë më i mirë nga
teksti i mëparshëm. Atje inkuadrohet shumë mirë historikisht
vepra, duke u përmendur tre shtetet e mëdhenj, me të cilët vendi
ynë është ndeshur gjatë historisë së tij: perandoria osmane, BRSS
dhe së fundmi Kina; evidencohet personazhi i shokut Enver (gjë
që ishte bërë edhe në tekstin e parë prej atyre vetë), jepen
vlerësime të drejta për ngjarjen dhe romanin.
Romani do të dalë në ditët e fundit të shtatorit - ditët e para të
tetorit. Shtëpia botuese “Fayard“ ka ndërmend të organizojë me
këtë rast një drekë-recepsion me shkrimtarë, kritikë, gazetarë,
punonjës të radiotelevizioneve. Në qoftë se kjo do të bëhet
vërtet, është një gjë e rëndësishme, sepse tregon që romani
konsiderohet prej tyre si ngjarje e shënuar e vitit letrar (zakonisht
shtëpitë botuese bëjnë 5-6 recepsione në vit). Ashtu siç është
shprehur shoku ministër i jashtëm, do të ishte mire që edhe
ambasada jonë të organizonte nga ana e saj një recepsion të tillë.
Këto recepsione jo vetëm janë të domosdoshme për lancimin e
librit (sidomos ai i shtëpisë botuese franceze), por në situatën
aktuale ato marrin një tingëllim të veçantë politik.
Për çështjen e filmit puna qendron kështu: filmin ka marrë
angazhimin ta financojë shoqëria më e madhe kinematografike e
Francës SFP (Societe de Producions Française). Projekti i
kontratës është bërë, por kontrata prej tyre akoma nuk është
nënshkruar, sepse, sipas SFP-së, presidenti ishte me pushime.
Pritet dërgimi i kontratës në Shqipëri dhe nënshkrimi nga autori.
Ismail Kadare
(Nënshkrimi)
Tiranë, gusht 1978

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1978, Dosja 294, fl.
5-6.
2. Shkurtesa në titullin e dosjes: “Informacione të shokëve
Manush Myftiu dhe Ismail Kadare dërguar shokut Ramiz Alia
për botimin në Francë të romanit “Dimri i madh” dhe për
xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
3. Eshtë arkivuar nga Ilo Kodra, ndihmës i R. Alisë, pa shtesa
shënimesh apo porosish, më 24.8.1978.

__________
1. Titulli është i origjinalit. Nuk ka adresë se kujt i drejtohet. Duhet
t’i jetë paraqitur R. Alisë (shënimi i arkivimit është i punonjësit të
kabinetit të tij ndihmës Ilo Kodra).

DOKUMENTI NR. 24:

“Meqenëse ti je armik dhe e kupton më mirë se
ne, - vazhdoi hetuesi seriozisht i pagjumë, -
duam të na komentosh se ç’do të thotë Ismail
Kadare në romanin e tij “Dimri i madh” me atë
skenë ku ai malësori zbret nga Bjeshkët e
Nëmura dhe do që të takojë Enver Hoxhën në
Tiranë, dhe roja me automatik e ndal ashpër,
ndërsa binte shi?” - ngjarje e vitit 1979.

Ishte e pesta herë që hetuesi më merrte në pyetje gjatë kësaj
nate. Më kthenin në qeli, më linin pak, aq sa mendohej se do të
më kishte zënë gjumi, dhe një çizme te koka më godiste lehtë.
Ishin minjtë që më çukisnin. Pastaj vërtet maja e çizmes së
policit. Çohu! Trupi më mbetej këndej në gjumë e kokën ma
merrnin dhe ia çonin hetuesit. Një herë thashë të çoj trupin dhe
të mbaj kokën të shplodhet. Jo, jo, duam kokën, thanë ata. Të
dyja, të dyja, e vendosi hetuesi herën e pestë, afër mëngjesit.
- Meqenëse ti je armik dhe e kupton më mirë se ne, - vazhdoi ai
seriozisht i pagjumë, - duam të na komentosh se ç’do të thotë
Ismail Kadare në romanin e tij “Dimri i madh” me atë skenë ku ai
malësori zbret nga Bjeshkët e Nëmura dhe do që të takojë Enver
Hoxhën në Tiranë, dhe roja me automatik e ndal ashpër, ndërsa
binte shi?1
Shkrofëtiva, për t’u bërë esëll. Pa u menduar do të doja të
përgjigjesha: “Ju, zoti hetues, vetë po thoni, ashtu siç porosit
partia, se ka armiq, të jashtëm dhe të brendshëm, dhe
udhëheqësi i popullit mbrohet nga vetë populli i tij, që në roman
përfaqësohet nga ushtari. Ushtarët janë bij të popullit tonë trim e
liridashës. Ajo arma në duart e tij simbolizon - jo, jo, nuk
simbolizon, s’jemi në simbolizëm këtu, e di që është i ndaluar -
por tipizon, është tipikja, vetë vigjilenca revolucionare, diktatura
e proletariatit, që nuk tërhiqet as në shi e fortune”. Unë kurrë
s’do t’ju them se edhe në variantin e dytë të romanit “Dimri i
vetmisë së madhe”, që ju e kritikuat, Enver Hoxha më duket si
ata diktatorët e Amerikës Latine, i rrethuar me gardë të
armatosur deri në dhëmbë, i veçuar dhe jo “gju më gju me
popullin”, siç thotë ai vetë e ju i mbani ison, etj. Dhe atë
mbledhjen e 81 partive në Moskë, ku Enveri juaj shkëlqen, Kadare
e ka përshkruar si një masakër komuniste. Unë kështu e shoh jo
sepse jam armik, por kështu mundem, kështu më del. Edhe
iluzionistin më të ndershëm shkrimtari e bën të mendohet dhe të
vuajë nga ai llahtar absurd i komunistëve në atë internacionale
dinosaurësh. Përse Besniku, përkthyesi i Enver Hoxhës,
protagonisti i romanit, bëhet i heshtur kur kthehet nga Moska?
Pëson zhgënjimin më të madh, sa harron dhe të fejuarën dhe
ndahen. Shkak është ajo mbledhja e 81 përbindëshave gjithë
kthetra, dhëmbë e citate të llahtarshme. E ne tash e mbrapa do
të bënim jetë ushtarësh të varfër, si në rrethim. Atdheu do të
bëhej kazermë, çmendinë, burg. Parandjehet. Ç’shtet jeni ju, që
detyroni një mësues fshati, të arrestuar, t’i japë policisë politike
sekrete opinione për shkrimtarin më të madh të vendit? S’di
shteti të mendojë? “Dimrin e vetmisë së madhe” e pati ndër duar
e gjithë Shqipëria, kudo, nëpër shtëpira, biblioteka, në shkolla, në
tren. Dhe sa më komunist ortodoks të ishe, aq më shumë nuk e
pëlqeje atë roman. Nuk e kam librin këtu, por e gjej në ç’faqe
është, shih ç’shkruan: “Në socializëm zhvillohet një luftë e egër
dhe e papajtueshme mes të aftëve dhe të paaftëve (pra, jo lufta e
klasave). Dhe ata që lodhen të parët janë të aftët”. Ja sistemi
juaj, jua ka thënë fare qartë, ç’doni nga unë? Kjo është ulëritëse.
Të paaftët bëjnë përpjetë, atje ku është partia dhe Enver Hoxha.
Ai, diktatori, vërtet përshkruhet monumentalisht në roman, por
unë e shoh me frikë, se ai është si statujat, bosh nga brenda, pa
argument. Ç’absurditet dhe sa tragjike të vuajë një popull i tërë
ngaqë Enver Hoxha kundërshton Hrushovin, sepse don të rrijë në
krye patjetër, me çdo çmim! Dhe gjoja grinden për doktrinën e
Stalinit! Pas kësaj vendi shkon më keq, sakatoset, u vranë bijtë
më të mirë. Prej tyre jam arrestuar edhe unë.
Ç’duan të bëjnë me Kadarenë?! Mirë atij nuk i besokan, por ata s’i
besojnë as vetes, përderisa i përgjërohen dhunërisht një të
pranguari të uritur, të trembur, që pret me ankth gjyqin për t’u
dënuar! Dhe prandaj e kanë rrëmbyer, e mbajnë mbyllur dhe e
torturojnë, vetëm e vetëm për ta hedhur në humnerat e
ndërgjegjes kolektive, në subkonshiencë e delir, që të zbulojnë
pjesët e aisbergut nën oqeanin e dhunës e të gjakut.
- Po kur funerali i plakës Nurihan, përfaqësuese e klasave të
përmbysura tek ne, - pyeste dhe mbante shënime djallëzisht
inkuizitori im, - ndesh me veturat e ambasadës sovjetike që po
largohen përgjithmonë nga vendi ynë pas prishjes, arkivol i zi,
makinë e zezë … E? Si, si? Vdekja pret në të ardhmen për të
qortuar? Kë? Të sotmen. S’të kuptova! Dhe ti je ndikuar nga
Kadareja, por nga ato gabime që partia si shkrimtar i ka kritikuar
vazhdimisht3.
M’u ndëpërmend, megjithëse s’doja të kujtoja më, në djall të
gjitha, se romanin “Dimri i vetmisë së madhe” e kisha lexuar
vetëm natën, si një kob të mrekullueshëm. E dinin këtë gjë?
Duhej ta dinte hetuesi? Ndërsa në auditor dremisja gjatë
leksioneve të mërzitshëm për realizmin socialist. Kur erdhi një
sekretar i parë dhe donte të takonte studentët e rrethit të tij, s’di
të ç’rrethi, por mungon në “Ferrin” e Dantes, shefi ia paraqiste
një nga një, duke dhënë dhe ndonjë karakteristikë: “Ky student
është kështu e ky ashtu, ky tjetri është i mire, por ka një të keqe:
pëlqen Kadarenë!”

__________
1. Botohet sipas: V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë, 2001, f. 69-70.
2. Për “anketimin” e mendimit të “armiqve” rreth I. Kadaresë, i
njëjti autor, në librin “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 344-346, shkruan:
“Donte të më habiste patjetër. “Sipas asaj formulës ‘armiku i kupton
më mire armiqësitë nëpër libra’, që ta thanë edhe ty në hetuesi, ata
mbledhin analiza nga armiqtë e socializmit dhe të realizmit socialist
për veprat e realizmit socialist dhe socializmin. Pra, kërkojnë të
zbulojnë domethëniet, helmin, kunjin kundër partisë; të zbulojnë
armiqësitë e nënkuptuara, të fshehura, t’i zbulojnë nëpërmjet
armiqve. Eshtë me të vërtetë cinike, e poshtër, tamam punë
komuniste. Sipas tyre, e folura e shkrimtarëve të pakënaqur ngjan
shumë me atë të të burgosurve politikë. Sigurisht do të kenë
parasysh kur gjendemi para komandës, në gjyq a hetuesi, që duam
të dredhojmë, se me vrasësit e çmendur s’i dilet ndryshe. Vetë
s’kanë ide, veç urdhëra”.
- E ç’bëhet me komentet që po tregoje?
- Operativi mbledh fletët e shkruara, kontrollon firmat e veta (se
fletët i ka firmosur më parë vetë), kur ishin të bardha. Komentet e të
burgosurve, që do të dukeshin aq të parëndësishme, të kota e
absurde, bëhen të tilla për të ruajtur veprën, nëse ajo e meriton;
autorin doemos, për të ruajtur vetveten, dukurinë, ndikimet e huaja,
tendencën, nëse ajo duket pozitive, sipas të burgosurve, dhe për t’i
rënë kokës një dogme, një artifice, një dëmi. Mendo se ç’kaos
krijohet: kuptimi i parë, kuptimi i dytë, i shkruari, i pashkruari, i
nënkuptuari, kundërtema, trajtimi sipas orientimeve ose jo, gjuha e
fshehtë, kur e hapura fsheh më shumë ndonjëherë, më dëm sjell një
propaganda idiote, personazhet, pse ka më shumë negativë se
pozitivë, të dyja s’janë të sigurta, sepse, nëse do të thuash se tek ne
sundon pozitivja, sipas tyre ke dashur të ulësh vigjilencën, luftën e
klasave, shpirtin revolucionar; po the negativja, pse ke dashur të
nxish realitetin tonë të mrekullueshëm, si në akt-ekspertizën tënde.
Tani, mbi këto, të shkruara e të pashkruara, të kuptueshme e të
pakuptueshme, të qena e të paqena, pasi studiohen në komitetin
qendror të partisë, lexohen së mbarthi a së prapthi - ata e dinë - u
çohen të përpunuara sekretarëve të diktatorit dhe aty përcaktohen
qendrimet, orientimet dhe mësimet që Enveri do të japë për
letërsinë dhe artet, porositë e tij, që gazetat pastaj do t’i quajnë të
vlefshme, që pasurojnë teorinë e marksizëm-leninizmit.
- Ashtu? Pra, këto komente nën trysni, paranojake do të thosha, të
nxjerra nga humbëtira e rrethuar me tela me gjemba, nga nëntoka,
ndikojnë kaq shumë në realitetin e një vendi të tërë, në jetën e
shkrimtarëve e të veprave të tyre, të ndalohen ose jo, të riciklohen
në letër, të çohen në fabrikat e letrës për t’u bërë karton, thasë
çimentosh, ose të marrin çmimin e madh të republikës.
Intrigat që s’i arrijnë dot në veprat e tyre apo që s’lejohen në
metodën e lumtur të realizmit socialist i kryejnë në jetë. Eshtë me të
vërtetë hataja, s’duket aq teatër absurd! Mendoni, është skenë e
vërtetë, jo lojë. Kritiku letrar i realizmit socialist bën pyetje, mban
shënime. I burgosuri shpesh është në siklet të madh. Ta lavdërojë
veprën, ka merakun se i bën dëm veprës dhe autorit, se “ja, e
pëlqen armiku, është për ta”. E tmerrshme! Ta shajë, për ta
mbrojtur natyrisht, do të thonë kundërshtarët e autorit: “Shih, kur e
shajnë dhe ata, të burgosurit politikë, armiqtë e partisë, të
socializmit dhe të soc-realizmit, merret me mend se ç’katastrofë do
të ketë katranosur shkrimtari!”.
Ç’bëjnë ata? Një libër ose një kapitull, një fletë a vetëm një frazë, pa
emrin e autorit, ua shpërndajnë disa të burgosurve dhe krahasojnë
komentet”.
3. “Meqenëse je armik, më thoshte hetuesi, - ti e kupton më mirë se
ne dhe na shpjego se ç’ka dashur të thotë Ismail Kadareja me këtë
pjesë të pakuptueshme, të dyshimtë, në romanin e tij kundër …”
Ia tregova Kadaresë, u bë serioz, pastaj buzëqeshi me absurdin. “Si,
si, meqenëse je armik, e kupton më mirë përmbajtjen armiqësore të
shkrimeve”, - dhe qeshte. Sipas: V. Zhiti, “Ferri i çarë”, Tiranë 2002,
f. 156.

DOKUMENTI NR. 25:

“Kritika pse në nënreferatin për letërsinë në
plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk
përmendeshin po ato kritika që përmbante
referati për novelën ”Nëpunësi i pallatit të
ëndrrave” të I. Kadaresë”.

Informacion për mbledhjen për dhënie llogari e zgjedhje
të organizatës së partisë të Lidhjes1

U përmend se ka dy lloj krijuesish. Disa merren thjesht me
krijimtarinë e tyre, të tjerë e bashkërendojnë punën për
krijimtarinë e vet me detyrat e tjera2.
U kritikua shoku Llazar Siliqi se në nënreferatin e tij në plenumin
e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk i përmendte ato kritika që
përmbante referati për novelën /”Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”/
të I. Kadaresë3.
Në raport përmendej kritika që i ka bërë organizata bazë e
Partisë I. Kadaresë për shoqëri të tepëruar me B. Shehun. Aty
thuhej se Ismaili duhej të kishte mbajtur qendrim më shumë dhe
ta kishte shmangur shoqërinë me të. Vetë Ismaili e kundërshtoi
këtë, duke vënë në dukje se s’ka patur shoqëri, por ka ndenjur
me të, u ka bërë recensione veprave të tij. Po ashtu, ai përmendi
se ka thashetheme për gjoja “përkrahje” që ai paska patur nga M.
Shehu.
J. M.,
21.7.1982

1. AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1982, Lista 38, D. 126, fl. 4.
2. Në titullin e dosjes informacioni ka shkurtesën: “Kritikat që i
janë bërë shkrimtarit I. Kadare për novelën “Nëpunësi i pallatit
të ëndrrave”, pavarësisht se pjesa për këtë argument në
tekstin prej 5 faqesh zë vetëm dy paragrafë.
3. Ka dhe disa shënime në anësoret.

__________
1. Informacioni përmban gjerësisht problematikën e diskutuar në
mbledhjen e organizatës bazë të partisë. Këtu botohet vetëm pjesa
ku flitet për qendrimin ndaj njërës prej veprave më problematike të
I. Kadaresë, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, vepër zyrtarisht e
hequr nga qarkullimi (në serinë “Vepra letrare“ të Kadaresë vëllimi i
11-të mungon, sepse nuk u pranua të botohej si në variantin e parë.
Në lidhje me këtë vepër gjithashtu dihet se janë zhvilluar analiza në
aparatin e komitetit qendror, janë bërë kritika të ashpra publike,
duke përfshirë punimet e plenumit të Lidhjes. Eshtë përmendur
gjithashtu një autokritikë tjetër e I. Kadaresë lidhur me këtë vepër,
por nga kërkimi ynë nuk u gjet. Botohet ky informacion në mungesë
të disa dokumenteve të tjera më të rëndësishme, për shembull, të
vetë procesverbalit të mbledhjes së organizatës së partisë, që duhej
të ishte ruajtur në arkivin e Lidhjes.
2. Në anësoren majtas të këtij paragrafi lexohet shënimi “çfarë do të
thotë kjo“, që ngjan të jetë i F. Ç.
3. Mund të mendohet se cilat ishin përmasat e kritikës për këtë
vepër, e pranuar pothuajse pa diskutime si një vepër disidente dhe
antitotalitariste, përderisa kritikohen edhe ata që nuk kanë qenë të
rreptë në kritikë.

DOKUMENTI NR. 26:

“Po ta them, ndonëse s’do të doja të të
mërzisja. Dje babai më tha gjëra shumë të rënda
për ty. Sipas babait, ti je shoqëruar me mua ose
me ndonjë tjetër qëllimisht … domethënë … për
të nxjerrë sekretin e shtetit. Domethënë …”
“Domethënë që unë jam agjent i imperializmit! -
më ndërpreu Ismaili. - Pse s’i bie shkurt? Jam
mësuar me kohë me këtë këmbanë! Që yt atë të
ishte dogmatik, e dija, por që të ishte kaq
mendjelehtë…”

“Me Ismail Kadarenë më nuk dua të shoqërohesh, - më tha. -
Ismail Kadare ka lakra në kokë. Kjo dihet, dhe ta kam thënë kaq
herë, por ti s’më ke dëgjuar… Po s’është vetëm kjo, - vazhdoi
babai. - Ti e di se, përpara se të bëhej mik me ty, ai ka qenë mik
me Todi Lubojën. Dhe gjithmonë është përpjekur të depërtojë
nëpërmjet miqësirash në familjet e udhëheqjes: një herë në
drejtim të familjes së Hysni Kapos, një herë tjetër në drejtim të
familjes së Manush Myftiut e tash tek ne. Hm! Qëllon larg ai!”
Përsëri nuk kundërshtova. Sepse kisha mbetur gojëlidhur…
Atë ditë drekova vetëm. Me t’u kthyer Marieta nuk m’u durua dhe
i thashë se kisha diçka për të biseduar me të. Bëra ç’bëra dhe
nisa t’ia riprodhoja copëra-copëra dhe disi rrëmbyeshëm bisedën
që kisha pasur me babanë.
“Dy janë mundësitë, - i thashë Marietës. - Ose e kanë me Ismailin
dhe ai është në rrezik, ose është diçka më e gjerë, domethënë
një përgatitje për një gjueti shtrigash të tipit të plenumit të
katërt”.
Por Marieta, ndërkohë, kishte filluar të qante.
“S’do të shkojmë më te Kadaretë? - tha ajo mes lotësh. - Pikërisht
miqtë më të mirë që kishim, atje ku shkonim më me qejf, na
ndalojmë të shkojmë!”
“Kush tha që s’do të shkojmë tek ata? - bëra ta qetësoja. - Madje
që tani do të shkojmë, sepse duhet paralajmëruar Ismaili
patjetër, se mund të jetë në rrezik. S’besoj se kanë rënë për të
fjetur”.
Ismailin dhe Elenën i gjetëm zgjuar.
“Kam diçka për t’ju thënë…”
Ata na prinë për në sallon, që të uleshim e të rrinim aty, por unë
shtanga një grimë, i kapërthyer nga një dyshim i beftë dhe i
herahershëm, që shpesh më zgjohej përpara ndonjë bisede që
s’duhej ta merrte vesh kush.
“Dalim në ballkon”, - u thashë, duke bërë me gisht një rreth në
ajër, për nga tavani, me çka kuptohej, mes nesh, prania e
aparaturave të përgjimit. Dolëm që të katër dhe u ulëm galiç
pranë e pranë.
“Hë?”, - tha Ismaili, me një buzëqeshje të shkujdesur dhe duke
ndërruar shpejt e shpejt syzet e bardha me syzet e errata, meqë
kishim dalë në vend me dritë.
“Diçka kanë me ty”, - i thashë, duke e pasur të vështirë për të
gjetur fjalët.
“Me mua?! - u habit Ismaili. - Por …”
“E di, e di se ç’do të thuash. Por telashet tona morën fund, fejesa
tani i përket së kaluarës. Kurse me ty është serioze”.
“Çfarë?”
“As unë s’di gjë të saktë, - i thashë, duke u kapërdirë me zor. -
Megjithatë, sikur e kam ndierë këto ditë nga një bisedë me
babanë”.
“Keni biseduar me babanë për mua? - tha ai. - Këto ditë?”
Ishte fare i qetë dhe dëgjonte me një farë kurreshtjeje, madje
dukej sikur po zbavitej nga biseda. Elena, më e vëmendshme,
vështronte sa nga Marieta, sa nga unë.
“Babai na e ndaloi rreptësisht t’ju takojmë”, - tha Marieta.
“Këtë radhë vendimi është i formës së prerë”, - shtova unë.
“Hm! - ia bëri Ismaili mendueshëm. - Kjo është e kuptueshme. Ta
kam thënë prej kohësh që s’duhet të vish këtu!”
Dy-tre vitet e fundit babai disa herë më kishte porositur t’i
largohesha Kadaresë, por pa ndonjë farë shpjegimi. Ndaj dhe ne e
merrnim me mend se tjetërkush ia kërkonte një gjë të tillë, dhe
ky tjetërkushi ishte Enver Hoxha. Ismaili e shpjegonte këtë
pjesërisht me një fare smire të fëmijëve të Enver Hoxhës ndaj
nesh dhe pjesërisht me dyshimin e vetë diktatorit, duke e parë ky
afrimin tim me Ismailin si një përçapje të pasardhësit të pritshëm
për të afruar kah vetja shkrimtarin e dëgjuar. “Babai yt ka të
drejtë që të ka porositur ashtu, - më pat thënë një here Ismaili. -
Ai mendon më gjerë, mendon arsyen politike, dhe e mira do të
ishte që ti të mos vije më tek unë”.
“Ndoshta ke të drejtë, - i thashë, - por tani duhej të të
paralajmëroja”.
“Po çfarë të tha babai konkretisht?” - më pyeti Ismaili.
I përsërita ato që më kishte thënë babai për të, me një saktësi të
ashpër, pa kurrfarë zbutjeje dhe pa e zotëruar veten. Ismaili u
çua. Balli iu vrragua ndërkohë me dy rrudha të thella. Ai u çapit
për në brendësi të shtëpisë dhe ne e ndoqëm mes heshjtes.
“Edhe me Kapot! - tha ai, duke u ndalur në mes të sallonit të
madh. - Po kjo është tepër fyese dhe tepër e ndyrë! Shiko sa
djallëzore! Pikërisht pse i përbuz, ata mbjellin një opinion të
kundërt, poshtërues për mua”.
“E tërë kjo është ndyrësi”, - tha Marieta.
Pas nja dy ditësh, një ngërrmim i errët, i fjetur, më bëri përsëri që
të ikja nga zbori dhe të kthehesha në shtëpi. Babai, ndryshe nga
herët e tjera, nuk më pyeti për lejen. Vetëm më vështronte kur e
kur përshqitaz. Mora zemër nga kjo butësi, nga kjo dhimbsuri e
tij, që sa vinte e po i bëhej më e shpeshtë dhe më e spikatur, së
bashku me mplakjen e tij.
“Për Ismail Kadarenë, - i thashë, - kam përshtypjen se edhe ti nuk
mendon se është tip lajkatari”.
Përnjëherësh u tendos, agori i tij u vrazhdësua:
“E çë pastaj?! Unë s’të thashë se Ismail Kadareja bën lajka, por
që ti të mos shoqërohesh me të”.
“Mirë. Po ti më the gjithashtu se ai përpiqet si e si të depërtojë në
familjet e udhëheqjes. Kurse ai është shkrimtar, madje i afirmuar
në botë, dhe më duket se qendron aq lart, saqë nuk ka nevojë
për një gjë të tillë”.
“Hm! Nuk dukesh të jesh kaq naiv. Ismail Kadareja është mjaft i
stërholluar, ka qëllimet e tij. Ismail Kadareja, - vazhdoi pas pak
babai, - kërkon të depërtojë gjer tek udhëheqja e lartë, nëpërmjet
familjeve të udhëheqjes, jo thjesht pse ka nevojë për të përfituar
ndonjë favor prej tyre, por që të mund të depërtojë, në këtë
mënyrë, gjer tek sekretet shtetërore”.
“Unë s’kam vënë re ndonjë shenjë …”
“Tani po shtiresh si naiv! - tha babai. - Ismail Kadareja rreh
shumë larg… E mbaj mend mirë se si më ka thënë në nja dy
raste, se në marrëdhëniet me botën e jashtme duhet të synojmë
majat, të lidhemi e të afrohemi me majat, siç i quan ai, me
personalitetet më të larta, e këta janë personalitete të borgjezisë,
domethënë të lidhemi me borgjezinë e madhe”.
Të nesërmen në mëngjes nuk u ktheva në kazermë, por shkova
përsëri tek Ismaili.
“Dalim më mirë këtej”, - i thashë, duke bërë me gishtin ngritur
një rreth në ajër.
“Dje pasdite fola prapë me babanë për ty. S’është punë xhelozie
e fëmijëve të atij tjetrit. Eshtë më serioze”.
“Ti mund të ma thuash, megjithatë”.
“Po ta them, ndonëse s’do të doja të të mërzisja … - pata një
mëdyshje të shkurtër, duke u përpjekur të gjeja fjalë të tilla që
edhe t’ia zbusnin të vërtetën, edhe t’ia jepnin të plotë, çka ishte e
pamundur. - Dje babai më tha gjëra shumë të rënda për ty. U
grindëm. Sipas babait, ti je shoqëruar me mua ose me ndonjë
tjetër qëllimisht … domethënë … për të nxjerrë sekretin e shtetit.
Domethënë …”
“Domethënë që unë jam agjent i imperializmit! - më ndërpreu
Ismaili. - Pse s’i bie shkurt? Jam mësuar me kohë me këtë
këmbanë! Që yt atë të ishte dogmatik, e dija, por që të ishte kaq
mendjelehtë…”
Nuk fola më dhe ika. Por pak ditë më pas ngjau diçka tjetër, që na
përkiste njëherësh edhe mua, edhe Kadaresë: ndërprerja, gjer në
ndalim të plotë, me urdhër nga lart, e xhirimeve të një filmi,
skenarin e të cilit e kisha shkruar unë, me motive të romanit
“Koncerti …” të Kadaresë. Urdhëri vinte nga aparati i
Kryeministrisë.
Muaj të tjerë më vonë, në gjendje arresti, i ulur në një karrige të
fiksuar, me një tavëll duhani mbi këtë tryezë, dhe përkundruall
meje hetuesit e ministrisë së punëve të brendshme, do të
përsëritnin, sado në trajtë të ndryshuar, bisedat që kisha pasur
me babanë në atë fillim vjeshte të vitit 1981. Do të shihja kështu
se, fjalët që më kishte thënë babai, të cilit ia kishte thënë më anë
tjetër Enver Hoxha, paskëshin qenë platforma e hetimeve që po
kryheshin ndaj meje.

1. Bashkim Shehu, “Vjeshta e ankthit”, Tiranë 1994, f. 73-85.
Botohet me shkurtime.

DOKUMENTI NR. 27:

“Përderisa një vepër është dënuar nga një
plenum për gabime të rëndësishme ideore, nuk
ka përse flasim për ripunim të saj“.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
Tiranë, më 3 nëntor 1982

Informacion për mbledhjen e organizatës bazë të partisë të
muajit tetor 19821.
Organizata bazë u ndal në rastin e novelës së I. Kadaresë
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“, e cila u dënua ashpër në
plenumin e Lidhjes. Shumica e shokëve që e morën fjalën janë të
mendimit se, duke qenë se novela është në themel e gabuar
ideologjikisht, nuk ka përse bëhen përpjekje për ribotim. Ndërsa
sh. Llazar Siliqi ka shkruar një recension ku thotë se novela mund
të ndreqet e të botohet. Shumica e anëtarëve mendojnë se I.
Kadare e Ll. Siliqi nuk mund të ngulin këmbë për ribotimin e saj.
Sh. Llazar Siliqi tha se nuk mund të gjykohet pa i parë
ndryshimet. Natyrisht, edhe kjo mund të bëhet, por, përderisa një
vepër është dënuar nga një plenum për gabime të rëndësishme
ideore, nuk ka përse flasim për ripunim të saj. Madje u shfaqën
mendime se shtëpia botuese “Naim Frashëri“ më parë duhet të
krijojë bindje vetë për një vepër dhe pastaj ta shpërndajë atë për
recensionim. Ky është një mendim yni, sepse, kuptohet, në këtë
rast ne nuk jemi institucion botues dhe ajo që vendos është
shtëpia botuese “Naim Frashëri”.
Në mbledhje u diskutua edhe për romanin “Gjakftohtësia” të I.
Kadaresë. Shtëpia botuese i është përgjigjur me shkrim autorit
për herë të dytë dhe ka vërejtjet e saj. Autori mendon se ka një
keqkuptim me shtëpinë botuese dhe nuk di si mund të dilet nga
kjo gjendje. Organizata shfaqi mendimin që Ismaili të thellohet në
këto vërejtje dhe, po qe e nevojshme, shtëpia botuese le të bëjë
një konsultë të ngushtë, ku të shkojnë edhe shokë nga Lidhja.
Në këtë mbledhje sh. D. Shapllo bëri autokritikë për botimin e
novelës “Një dosje për Homerin” të I. Kadaresë në revistën
“Nëntori”. Pas plenumit të Lidhjes duhej një temë aktuale,
përmbajtja të ishte e qartë dhe me peshë ideoartistike. Kjo kritikë
u bë edhe në redaksi e në kolegjiumin e “Nëntorit“. Edhe I.
Kadare pranoi vërejtjen se s’duhej të ngulte këmbë për botimin e
saj dhe u zotua që t’i kushtojë vëmendje më të madhe aktualitetit
dhe të shtojë vigjilencën2.
D. Sh.

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në
Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“,
Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004.
2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1982, fl. 22-24.
3. Në fl. 25 gjendet shënimi i Sh. B., shef i sektorit të edukimit
në aparatin e komitetit qendror: “Shoku Foto! Organizata bazë
e Lidhjes së Shkrimtarëve na ka dërguar këtë informacion, ku,
ndër të tjera, shprehet mendimi se novela “Nëpunësi i pallatit
të ëndrrave“ është në themel e gabuar ideologjikisht, prandaj
nuk ka përse bëhen përpjekje për ribotimin e saj në veprat e I.
Kadaresë. Po ashtu, në informacion thuhet se shtëpia botuese
“Naim Frashëri” më parë duhet të krijojë bindje vetë për një
vepër dhe pastaj ta shpërndajë për recensionim. Këto
mendime të organizatës bazë të Lidhjes së Shkrimtarëve bien
ndesh me porosinë e dhënë nga ju, që edhe për këtë novelë të
zbatohen rregullat që kemi për çdo botim. Ne mendojmë se,
është ose jo në themel e gabuar novela, do ta përcaktojë
shtëpia botuese, sipas rregullave. Nëse organizata e Lidhdjes
së Shkrimtarëve ka mendimin se ajo është në tërësi e gabuar,
atëherë duhet të bëjë një analizë të argumentuar e të plotë
dhe jo të japë vetëm mendim se nuk duhet të botohet. Për këtë
probleme ne ende nuk e kemi vënë në dijeni shokun Ramiz. Sh.
B., 6.11.1978“.
4. Në fl. 26 të së njëjtës dosje gjendet shënimi me titull “Mbi
informacionin e Lidhjes së Shkrimtarëve për novelën
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“, ku thuhet: “Pasi iu dërgua
informacioni shokut Foto, ai e sqaroi edhe një herë porosinë e
dhënë (shih praktikën). Më 15.11.1982 (data është korrigjuar)
u thirrën sh. D. Sh., Th. L., L. Gj., dhe iu dhanë këto porosi: 1.
Për novelën të zbatohen rregullat nga shtëpia botuese si për të
gjitha veprat e tjera. Nëse autori plotëson kërkesat e shtëpisë
botuese, e ripunon veprën, mënjanon defektet, për të cilat
kishte vërejtje, atëherë të botohet. Nëse kjo nuk arrihet, të
mos botohet. 2. Nëse Lidhja e Shkrimtarëve ka bindjen se edhe
pas ripunimit novela mbetet në tërësi e gabuar, atëherë të
argumentojë, të bindë autorin, që e ka anëtar të organizatës
bazë, edhe shtëpinë botuese ta ndihmojë. 18.11.1978”. Në
fletë gjendet shënimi i sekretarisë së R. Alisë “të arshivohet“
(nënshkrimi i Ilo Kodrës), si dhe nënshkrimi i Sh. B., për marrje
dijeni, më 9.12.1982.
5. Në fletët 21-22 ruhet në dorëshkrim porosia e F. Çamit:
“Këtë çështje e kam biseduar një herë me shokun Ramiz. Duke
qenë se Ismaili ngulte këmbë për ribotimin e veprës së tij, ai
tha se në këtë rast të zbatohen rregullat nga shtëpia botuese
si për të gjitha veprat e tjera. Në qoftë se autori plotëson
kërkesat e shtëpisë botuese, e ripunon veprën, mënjanon
defektet, për të cilat kishte vërejtje, atëherë të botohet. Në
qoftë se kjo nuk arrihet, të mos botohet. Jam dakord me
mendimin tuaj, që Lidhja e Shkrimtarëve, po qe se është e
bindur se vepra edhe pas ripunimit mbetet në tërësi e gabuar,
këtë ta argumentojë, që të bindet edhe autori, edhe shtëpia
botuese. Nënshkrimi, 11.11.1982”.

__________
1. Titulli është i vetë dokumentit.
2. Nuk janë botuar pjesët e informacionit që nuk kanë lidhje me
qëllimin e librit.
3. Por si përjetohej botimi i vëllimit me novela “Gjakftohtësia“ midis
shkrimtarëve të dënuar për dekadencë dhe shkelje të partishmërisë?
Në librin e tij “Rrugët e ferrit“, Tiranë 2001, f. 262-264, Visar Zhiti
shkruan: “Nuk doja të flija. Isha kthyer brinjazi dhe po vazhdoja të
lexoja i shtrirë romanin e Ismail Kadaresë “Prilli i thyer”. I kisha
marrë radhë, siç i kishte vendosur autori në përmbledhjen me titull
“Gjakftohtësia”. E para, që mbante dhe titullin e përmbledhjes, më
rrëshqiti shpejt: kryeqyteti, prishja me Kinën, gra të bukura, shkelja
e këmbës së një kinezi, etj. etj. Do të jetë pjesë nga romani i tij i
ardhshëm. Kadareja, me sa mbaj mend unë, kishte paralajmëruar
vetë në një intervistë dhe, siç e ka zakon (gjithmonë është kujdesur
ai për marrëdhëniet e tij me lexuesin), e hedh një herë si provokim,
jo vetëm artistic, në publik. E dyta, “Kush e solli Doruntinën”, ishte
një magji, tronditëse e tëra, e pabesueshme. Roman i thellë, ku
përzjehej jeta me vdekjen. Hapa dhe një herë nxitimthi librin në
faqen e parë: “Gjakftohtësia”, novela. Pse? Do të jetë grindur me
redaksinë e romanit dhe do të ketë gjetur ndonjë censor më të
kollajshëm në redaksinë e tregimit. Dhe krijon një Kostantin, sa i
baladave të lashta, aq dhe i tanishëm, kundërshtar, opozitar i
dekreteve, burgjeve, policisë dhe gjyqeve. “Ja ç’shkruan në faqen
162, hapur fare, më kishte thënë Shemsi Rrapaj, i cili e lexonte librin
ditën: duhet një sistem tjetër, me institucione të brendshme, pa
detyrime të jashtme. Shih kur ta kopjojnë gjithë të burgosurit këtë
paragraf nëpër blloqet e tyre!” Ou! Si nuk e kapa unë më parë?!
Kurse romani tjetër “Prilli i thyer” ndërsa i përpija fletët, po më linte
pa frymë. Si në tragjeditë antike, gjithë nder dhe dinjitet. Sa e bukur
paskësh qenë Shqipëria! Subjekti rendte si ai llandoni i kadifenjtë
nëpër malet e veriut, me Dianën dhe Besianën, këtu, fare pranë
burgut tonë në Orosh te princi i dikurshëm. Sa poshtë ka rënë jeta
tani, kur aherë dhe vdekja ishte e lartë! Nga besa dhe meditimi
gëlojmë mes llapaqenërisë, luftës së klasave dhe pabesisë së
përditshme! “Ç’guxim i Kadaresë, që i ngre himne kanunit, kodit të
moralit, të sharë dhe të denigruar nga partia dhe Enver Hoxha dhe
gjithë skota e shkrimtarëve të realizmit socialist”, më tha Avzi Nelaj.
E mori librin një paradite, sa për të lexuar “romanin e veriut”, dhe
ma dha prapë! Po Gjorgu, i ëndërrt, i hutuar nga dashuria, me atë
shirit zije në krah, i shenjuar për t’u vrarë nga gjaksi, që i ka dhënë
një muaj leje jetë, dhe ai rend, rend pas një zane moderne. Po ky
është fati i të gjithëve! Kulla e princit në Orosh, ç’mister dhe ç’muzg
në përshkrimin e saj (vajza e princit ishte ajo që, për t’i dhënë kurajë
tim eti, i hodhi një cigare të ndezur në qelitë e burgut, apo e
mbesa?!); prapë institucioni i harruar i besës, qehajai i gjakut,
ujëvarat dhe aeroplani i një linje të një qielli dëshpërimesh! E si
thonë në Orosh malësorët për burgun tonë? “Atje në Spaç është oda
e burrave të Shqipërisë!”.
U ktheva në anën tjetër duke e mbajtur librin në atë pozicion që t’i
binte drita, ndërsa po vazhdoja të lexoja shtrirë, pa ndjerë kush
hynte e dilte, në më shihnin apo jo, a iku ndokush të më kallzojë tek
roja i brendshëm. Gjorgun e qëllojnë me pushkë. Ngrihet toka
vrullshëm dhe e godet mbi fytyrë. Me siguri dhe Kadarenë do ta
kenë vrarë ndonjëherë, ndryshe s’kish pse ta dinte kaq mirë si vritet
njeriu!
… Piktori i zymtë po rrinte vetëm në anë të oborrit, më i braktisur se
kurrë. “Dua të të pyes diçka, më tha. Pasi heshti, ndoshta u mendua
për të formuluar mendimin, m’u drejtua me gjallëri të errët,
ndërkohë që ndihej i dërrmuar: “Si thua ti, kaq shumë e do Kadareja
atdheun, apo ka talent të madh?” “Pse, talenti nuk është atdheu i
artistit, buzëqesha, ku e ke fjalën?” “Te ‘Prilli i thyer’, ti ma dhe ta
lexoj”. “Po, po, dhe duhet të përgjigjem unë tani patjetër”.
“Ç’Shqipëri e bukur, me bujtina e pajtonë, me njerëz gjysmë-
perëndi, në harmoni me jetën dhe vdekjen. Ashtu të kemi qenë?”
“Unë besoj …” “Më bëri ta dua Shqipërinë dhe këtu nga burgu,
megjithëse gjithmonë kam qenë kundra”.

DOKUMENTI NR. 28:

“Po komisari, pse endej në mes të të burgosurve
bashkë me operativin që s’fliste nëpër oborr?
Hë, e doni këtu Kadarenë? - pyeste si duke
qeshur me cinizëm komisari. E kishte thënë dhe
me altoparlant, kur turni ynë ishte në punë. E
doni Kadarenë në burg? I juaji është! Hak e ka,
shtonte nën zë. Dëshpërimi ynë ishte i madh.
Prapë na ra qielli mbi kokë!”

… Të jetë ashtu siç e lexova herën e parë? E pamundur! Nuk
mund të shkruhet në Shqipëri. Dhe kush do të guxonte ta botonte
pastaj? Po ja, novela e fundme e përmbledhjes “Gjakftohtësia” të
luan mendtë e kokës. Eshtë aty, e zezë mbi të bardhë, nën titullin
çoroditës “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Fjala “nëpunës” më
është dukur gjithmonë se bart më shumë korrektesë se fjala
“faj”, ose më saktë korrektesë të fajshme, ka diçka shkretane në
të, ndoshta edhe prej atij tregimit të Çehovit, që e kemi pasur në
tekstet e letërsisë në shkollë. Po Kadareja i ka qejf titujt e gjatë,
me tri fjalë, të mistershëm. Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Muzgu i
perëndive të stepës. Dhe këtu vendos fjalën “pallat”, që duket
sikur e shtyp varfërinë e fjalës pararendëse, gjithashtu krijon dhe
luks, “nëpunësi i pallatit”, dhe befas bëhet magjia: Nëpunësi i
pallatit të ëndrrave. Menjëherë biem në një botë ireale, s’dihet se
ku, në qiell apo në ndërgjegjen e njeriut? Ku është ky pallat? Në
parajsë apo në ferr? Në parajsë jo e jo! O tmerr! Kadare thotë se
është pallat i ferrit, por në Shqipëri! Nëpunësi i tij, Ebu Qerimi,
vërtet punon në qendër të perandorisë osmane, në Stamboll, pra,
larg vendit tonë, dhe në një tjetër kohë, por tregimi të fut ankth e
frikë, megjithëse s’ka asnjë vrasje. Dhe masakra ndihet
gjithkund. Eshtë një pallat ku grumbullohen gjithë ëndrrat e
njerëzve, me qetësi, fshehtas, duke përgjuar ose jo, me xhelozi,
pa xhelozi, herë-herë me xhelozi mizore dhe, sipas interpretimit
që u bëhet atyre prej specialistëve, zgjidhet ëndrra më me vlerë,
një ose disa, dhe shteti përcakton prej saj jo vetëm qendrimin
ndaj çdo shtetasi dhe gjithë popullit, por dhe ndaj së ardhmes,
rrugët që do të ndjekë. Njeriu bëhet gjithnjë e më fatkeq, ka frikë
dhe nga gjumi i vet. Denoncohen ëndrrat rregullisht… Një shtet
që qendron mbi denoncimet! Një sistem i tërë botëror. Kohë
përgjimesh pafund dhe e çdo gjëje. Nuk besoj të ketë pasur
nevojë për të qenë kështu perandoria osmane. I mjaftonin forca
dhe betejat, egërsia, risitë, dinakëritë, lehtësirat, taksat, vrasjet,
gradat etj. dhe s’kish pse t’i duhej ky sofistikim ngjethës, frojdian-
kafkian, që ngjan të jetë i shekullit të 20-të, i vendeve totalitare,
dhe pikërisht i regjimeve staliniste. Dekori i tregimit: ja, ja, Tirana
jonë! Të vjen të ulërish nga zbulimi. Shih, qendra e saj, ndërtesat
masive … të ministrive, Banka Qendrore thotë Kadareja, më tutje
karrocat e shumta, po a s’është vendi i taksive ky? Po ai shesh,
me xhaminë dhe sahatin, me ngricat. Ajo rrugë ku kalimtarët
pakësohen është ajo që të çon në komitetin qendror, në Pallatin e
Endrrave, motërzimi fatalist i ministrisë së tmerrshme të punëve
të brendshme. Ismail Kadare duhet të jetë zemëruar keqas dhe
përfundimisht me partinë, me shtetin, dhe u ka dhënë një goditje
rrënuese me këtë vepër. Duket e pakohshme për të qenë e aftë
të veprojë në çdo kohë, kundër çdo regjimi totalitar, në çdo vend.
“Do ua them dhe miqve, se nuk besoj të jem çartur dhe unë, u
hodha nga krevati rrëmbimthi, diçka do të ndodhë patjetër!”1.
… Atëherë e kuptoi se i kishte sytë me lotë. Unë apo Ebu Qerimi?
Po dridhesha. S’ngopesha dot me frymë. Doja të bërtisja. U hodha
poshtë nga krevati, ndërsa librin nuk e lëshoja nga dora, sikur atë
të kisha kërkuar në gjithë këto vite burgu, jo vetëm unë, dhe tani
që e gjeta nuk doja të ma merrnin. Nuk duhej ta humbnim! Të
jem në ëndërr apo lexova vërtet “Nëpunësin e pallatit të
ëndrrave”? Trefish më shumë se herën e parë, trefish më
tronditës. Jo, ky nuk është libri “Gjakftohtësia”, por ribotim i
tregimeve dhe novelave të “Emblemës së dikurshme” të Ismail
Kadaresë, që e kisha lexuar pa rënë në burg. E pse e ribotoi dhe
pse ma sollën këtu? Diçka do të ketë patjetër. Hapa kapakun e
fortë të tij, në ngjyrë kafe që vinte duke u zbardhur, sikur tretej
një copë nate diku, në asgjëkund dhe në fletën e parë të bardhë
qe firma prej rilindësi e tim eti. “Botim i dytë”, lexova poshtë
titullit në faqen tjetër. E çova në fund për të parë pasqyrën e
lëndës. Viti i botimit - 1981. Po, po, e njihja: “Kafe Riviera”,
“Kështjella Graks”, e çuditshmja “Brezni e Hankonatëve” dhe e
fundit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Ndala. Përbrenda pata
një gjallërim të dyfishtë të dyshimit. Shoh se novela s’m’u duk aq
e paktë në fletë sa te “Gjakftohtësia”. S’kisha gabuar. Ishin
shtuar kapituj dhe mbanin tituj mbi krye, jo numra romakë si
dikur. Po e paska bërë roman, thashë, dhe iu futa leximit, i bindur
për dinakëritë dhe grackat (më shumë se sa letrare) të Kadaresë.
Dy pjesët e para i mbaja mend mirë. Tirana e fshehur jo vetëm
pas një shiu kadarean, por dhe e shtyrë përtej në perandorinë
osmane, gjë që mua më jepte tronditjet e një tërmeti, saktësisht
me komitetin e vet qendror të partisë së punës, i cili, për arsye
artistike, këtu quhet Pallati i Endrrave. Ankthshëm këtu mblidhen
ëndrrat e gjithë shtetasve, të të gjithë atdheut, të treguara vetë,
të denoncuara, të mbledhura me marifete të ndryshme policore,
dhe, në bazë të tyre, shefi i shtetit, sulltani Enver Hoxha, bën
kërdinë, ngre dhe prish politika; zbulon grupe të paqena
armiqësore; ndëshkon rëndë krahët e bashkëpunëtorëve; në bazë
të ëndrrave të para nga fshatarë, për shembull thellë, pas
maleve, fshatrave të Kukësit më dukej mua, ku kisha punuar
mësues, pra, në bazë të atyre ëndrrave që as kali nuk pranonte
t’i bartte, aq të poshtra janë ndonjëherë, si kur grindet korrieri
kryeqytetas me operativin e zonës etj., përcaktohen politika e
jashtme, marrëdhëniet me shtetet e tjerë, pra, izolimi i vendit,
mbyllja dhe burgu bëhen sistem social, që, sipas porosisë së
partisë, e ndërtojmë me forcat tona. “Ardhja e pranverës”, këtë
titull mban kapitulli i fundit. Ç’është ky mesazh? “Pranvera e
Pragës”, kishim dëgjuar ne. Si, po ngrohet moti? Do ketë
ndryshime, kështu? Kadare i dëshiron, apo i paralajmëron? Ai po
denconcon madhërishëm si shkrimtar një hata, një krim të madh,
një sistem.
… Në “Pallatin e ëndrrave” Kadare, me një qetësi të frikshme, i
ftohtë si kufomat, qe futur në korridore ankthesh, kishte ngjitur
shkallët e krimit shtetëror, kishte hapur dyer të pahapura kurrë,
dhe kishte mbërritur si fantazmë atje ku askush nuk lejohet të
shkojë, në vendin ku diktatura ngjizet, në ato fillime ku gjithçka
është lakmi dhe dora-dorës bëhet zotërim e demonizohet në
pushtet. Pjesët e saj prej terri bashkohen, montohet ëndrra me
zhgjëndrrën, shfaqet konstrukti, çuditërisht i metaltë, pastaj me
luspa përbindëshi përsipër, dhe të nesërmen shfaqet një
diktaturë që ecën ngadalë, e rëndë, e sigurtë, e gjithëfrikshme.
Ç’e thirri Kadarenë në këtë rrezik? Ç’forcë tufanesh e hodhi, jo
lart, qiejve, por thellësive të tejshme të vdekjes? Dola të lajmëroj
ferrin për këtë libër. “Ky roman është lajmi më i mirë që ka hyrë
në burg”, tha Bardh Kupi. “Mbas kësaj duhet të bjerë regjimi
patjetër”, ngulmonte Naim Staravecka. “Ose do të burgosin
Ismail Kadarenë”. “Kadare me këtë roman u hakmor për të gjithë
ne”, tha Lekë Mirakaj2.
… Libri u kritikua ashpër. Lexuam në shtyp si të trullosur se qe
mbajtur një plenum i veçantë për “Nëpunësin e pallatit të
ëndrrave”. Ple(h)numi ku Ismail Kadaresë iu vërsulën si të
tërbuar, kurse vetë R. Alia, zëvendësdiktatori, në prani të gruas
së diktatorit, “panterës së zezë”, i tha: “Partia dhe populli të
ngrenë në Olimp, por, po të mos qendrosh besnik, të hedhin në
greminë”. Ky është kërcënim i hapur. Burg, vrasje, vrasje librash!
Po komisari, pse endej në mes të të burgosurve bashkë me
operativin që s’fliste nëpër oborr? Hë, e doni këtu Kadarenë? -
pyeste si duke qeshur me cinizëm komisari. E kishte thënë dhe
me altoparlant, kur turni ynë ishte në punë. E doni Kadarenë në
burg? I juaji është! Hak e ka, shtonte nën zë. Dëshpërimi ynë
ishte i madh. Prapë na ra qielli mbi kokë! Jo vetëm pse qe ndaluar
libri ynë më goditës, por qe përdhunuar edhe një herë ëndrra,
shpresa. Po Kadarenë nuk e burgosin dot, jo. Eshtë aq i madh ai
tani sa nuk e nxë burgu, i thoshim njëri-tjetrit. Le të vijë,
përgjigjej dikush. Jo, ne na duhen veprat e tij, kundërshtonim3.

__________
1. Marrë nga: V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001.
2. V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001, f. 269-270.
3. V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001, f. 323-326.
4. V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001, f. 329.

DOKUMENTI NR. 29:

“Nga kritika e realitetit revizionist kalohet në
diskriminimin e Kinës dhe të udhëheqësve
kinezë. Kritika ndaj Mao Ce Dunit e Çu En Lait i
kapërcen të gjithë kufijtë. Mao Ce Duni është
vizatuar si një njeri i fantaksur, që rri jashtë çdo
realiteti, që nuk ka asnjë meritë. Ai është
kultivues i marijuanës dhe i urrejtjes për
letërsinë e artet, armik i mendimit dhe në
mënyrë të veçantë i europianëve”.
Disa mendime për romanin “Gjakftohtësia”1

Romani, në gjendjen që paraqitet, me gjithë vlerat e tij positive,
nuk mund të botohet. Pasqyrimi i ngjarjeve nuk është gjithnjë i
saktë. Interpretimi i problemeve themelore qendron larg
vlerësimeve dhe qendrimit të partisë sonë. Ai ka disa mangësi e
boshllëqe serioze ideologjike.
- 1. Lufta kundër revizionizmit kinez është trajtuar në mënyrë
të njëanshme e të cunguar. Përveç letrës së komitetit
qendror të PPSH, me anën e së cilës kundërshtohet vajtja e
presidentit amerikan në Kinë, gjithë problemet e tjera që
bëhen objekt i kritikës janë probleme të pjesshme dhe
kryesisht të sajuara nga autori për efekte artistike, siç është
“këmba e shkelur” e kinezit etj. Një problem i tillë i madh,
siç ishin marrëdhëniet me Kinën, më tepër se problem
partie ka mbetur problem bisedash në rrugë, në zyra e në
kafe. Lexuesi njihet kryesisht me pëshpëritjet e njerëzve për
prishjen e marrëdhënieve dhe jo me qendrimin e partisë.
- 2. Në roman i është lënë vend mjaft i madh kritikës së
realitetit kinez. Por, si është realizuar kjo? Aty ka faqe e
detaje të goditura, ka dramacitet e forcë artistike. Por nuk
ka sa duhet realizëm, nuk ruhet masa. Nga kritika e
realitetit revizionist kalohet në diskriminimin e Kinës dhe të
udhëheqësve kinezë. Vlerësimi i Kinës dhe i udhëheqësve
kinezë nuk është bërë nga pozitat e partisë sonë. Kritika
ndaj Mao Ce Dunit e Çu En Lait i kapërcen të gjithë kufijtë.
Mao Ce Duni është vizatuar si një njeri i fantaksur, që rri
jashtë çdo realiteti, që nuk ka asnjë meritë. Ai është
kultivues i marijuanës dhe i urrejtjes për letërsinë e artet.
Armik i mendimit dhe në mënyrë të veçantë i europianëve.
Çu En Lai skicohet si njeriu me tri maska, që çdo gjë e bën
sipas skemave të caktuara kineze, duke përfshirë dhe
martesën. Mënyra e paraqitjes së jetës në Kinë, pa art e
letërsi, pa dashuri, pa bizhuteri e të kuq buzësh, në fakt i
bën jehonë kritikës që i bëjnë realitetit kinez të kohës së
Maos udhëheqësit e sotëm të Kinës dhe politikës së tyre për
hapjen e dyerve mënyrës perëndimore të jetesës.
- 3. Eshtë tepër i dyshimtë dhe i diskutueshëm qendrimi i
elementëve të deklasuar ndaj Kinës. Në roman del se
marrëdhëniet e mira me Kinën kanë qenë në dobi të tyre.
Në qoftë se gjërat nuk pasqyrohen në kuadrin e kushteve
konkrete dhe nuk analizohen në mënyrë dialektike, gjithnjë
krijohet shteg për keqkuptime dhe interpretime të gabuara.
A është e drejtë të pohohet se miqësia me Kinën ka qenë
dhe në dobi të armiqve?
- 4. Lufta për demaskimin e revizionizmit kinez është një
fitore e madhe e partisë sonë. Por si paraqitet kjo në
roman? Pasojat e kësaj lufte krijojnë keqkuptime e dyshime.
Në mjaft raste pohohet ideja se prishjet me shtetet e mëdha
shkaktojnë drama, thyerje shpirtërore, madje dhe fatkeqësi
natyrore. Gjergji dhe Skënder Bermema nga vajtja në Kinë
pësuan tronditje shpirtërore të pajustifikuara, ëndërrojnë të
martohen në çaste kthesash, tronditjesh politike. Viktori
humb sytë, kushëriri i Skënderit humb jetën etj. Armiqtë, siç
thamë, shqetësohen për prishjen e marrëdhënieve dhe
ligështohen nga vdekja e Mao Ce Dunit. Ligështohen edhe
një pjesë e njerëzve tanë, të paaftët, që shkëlqimin e tyre e
kishin lidhur me miqësinë me Kinën. Ish-prosovjetikëve
(atyre që kanë mbaruar studimet në BS), iu ngjallën
shpresat për afrim me BS. Studentët që u kthyen nga Kina u
martuan dhe u fejuan. Shumë vajza u ndanë nga të fejuarit
e tyre për t’u fejuar me studentët që u kthyen nga Kina.
Përse i duhen autorit këto drama? A i shërbejnë ato në të
vërtetë pasqyrimit të madhështisë së luftës së partisë apo
shkojnë në dëm të saj? Natyrisht që ato ndikojnë më shumë
për keq se për mirë. Dëmet që i shkaktohen ekonomisë pas
prishjes së marrëdhënieve me Kinën jepen në përmasa dhe
forma të tilla, që të krijojnë përshtypjen se çelësat e
ekonomisë sonë kishin qenë në duart e kinezëve. Eshtë e
vërtetë që udhëheqja kineze u shkaktoi dëme të rënda disa
sektorëve të ekonomisë sonë, por partia dhe kuadrot ishin
të përgatitura dhe u bënë ballë vështirësive.
- 5. Komploti dhe veprimtaria e grupeve armiqësore nuk
pasqyrohen saktë dhe jepen në përmasa të zvogëluara. Si
aksion kryesor të puçistëve në ushtri autori jep vetëm
urdhërin për rrethimin e një komiteti partie gjatë një loje
ushtarake. A mund të jepen vetëm me këtë përmasat dhe
rreziku i qëllimeve e veprimeve të puçistëve? Si veprim
kryesor të grupimit armik në ekonomi jep emërimin
përgjegjës pasticerie të një ish-pronari që kishte ardhur nga
Australia. Sipas autorit kjo bëhej me qëllim për t’i hapur
rrugën kapitalizmit sipas mënyrës kineze. A mjafton një fakt
kaq i banalizuar për të treguar sabotimet në politikën
ekonomike? Si shfaqje konkrete të presionit dhe agresionit
ideologjik borgjezo-revizionist konsideron futjen në Shqipëri
të sa më shumë përfaqësuesve tregtarë e specialistë me
mjekra e flokë të gjata. Lufta e partisë ndaj grupeve
armiqësore del pasive. Barrën kryesore të saj e mbajnë
tankistët, që nuk pranuan të rrethonin komitetin e partisë,
dhe punonjësit e doganës, që mezi i detyronin të huajt të
prisnin mjekrat e flokët.
- 6. Figura e shokut Enver del tepër e cunguar. Veprimet dhe
ngjarjet që lidhen me të nuk janë reale. Po kështu nuk
ndihet sa duhet roli i partisë, forca e saj.
- 7. Qendrimi i partisë sonë ndaj lëvizjes marksiste-leniniste
nuk është interpretuar drejt. Del sikur pas acarimit të
marrëdhënieve me Kinën ne shpërndamë nëpër vende të
ndryshme të njerëz për të mos lejuar largimin e partive të
reja nga marksizëm-leninizmi. Në Paris shkoi Besniku. I
trajtuar kështu, problemi mund të krijojë keqkuptime, sikur
ne u diktojmë vullnetin tonë partive të tjera. Edhe
përfaqësimi i lëvizjes komuniste vetgëm nga një personazh
pa ide e pa personalitet, si Huan Maria, një përkrahës pa
kokë i vijës kineze, bën vetëm efekt të keq.
- 8. Zhvillimin e ngjarjeve dhe veprimin e personazheve e
përshkon një farë spontaneiteti. Duket sikur gjërat shfaqen
e zhduken vetë, pa vullnetin e njerëzve, jashtë vetëdijes së
tyre. Personazhet bien në dashuri, martohen e ndahen në
mënyrë të pandërgjegjshme, jashtë gjykimit të tyre. Një
qendrim i tillë shkon në dëm të vlerësimit objektiv të
ngjarjeve, ul rolin e faktorit të ndërgjegjshëm, dobëson rolin
e faktorit subjektiv, thekson dozat e objektivizmit borgjez.
- 9. Personazhet pozitive në roman jo vetëm që janë të
kufizuar në numër, por, për hir të “objektivizmit“, të gjithë
janë me mangësi të theksuara. Gati të gjithë kanë drama e
ndarje në dashuri, duke përfshirë edhe Lindën, që është më
e reja. Disa janë martuar dy herë. Përse personazhet
pozitivë duhet të kenë patjetër “dramën“ e tyre? Vetëm për
hir të teorisë sipas së cilës nuk ka heronj të përsosur? Midis
personazheve pozitivë e armiqve në roman kemi një galeri
të tërë personazhesh e tipash të lëkundshëm, madje
negativë: S. Dersha, gruaja e tij, i vëllai, gruaja e vëllait. Të
tillë janë edhe ndërlidhësi, radisti, shefi i kuadrit, i zbulimit
etj. Përse duhen në një roman që paraqet luftën dhe
qendresën tonë kaq shumë elementë të lëkundshëm, pa
karakter, pa personalitet?
- 10. Autori nuk respekton kronologjinë e ngjarjeve. Të gjitha
ndodhitë në Kinë, që nga revolucioni kulturor e deri tek
vdekja e Mao Ce Dunit, të gjitha ngjarjet në marrëdhëniet
tona me Kinën, që nga vajtja e presidentit amerikan në Kinë
dhe deri tek letra e partisë komuniste kineze për prerjen e
marrëdhënieve ekonomike, zhvillohen brenda kohës së ciklit
të lulëzimit të limonit. Thuhet se autori e bën një gjë të tillë
për të rritur dinamizmin e ngjarjeve dhe për të theksuar
dramacitetin e tyre. Por arritja e këtyre qëllimeve nuk duhet
të realizohet nëpërmjet cënimit të realizmit historik.
Në këto shënime u ndala vetëm në disa dobësi që mendoj se janë
kryesoret në roman. Natyrisht, romani ka edhe arritje pozitive, ka
vlera të padiskutueshme.
R. M. (shënim dore).

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në
Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“,
Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004.
2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Lista 39, Dosja 98, fl. 40-
44.
3. Ka një numërtim të dytë të problemeve, prej atyre që e kanë
lexuar. Nuk ka shënime, porosi, udhëzime.

__________
1. Titulli është i origjinalit. Nuk rezulton të jetë përgatitur si
recension, por si material ndihmës për ndonjë funksionar më të
lartë.

DOKUMENTI NR. 30:

“Me gjithë mendimet e mira që kemi për
romanin në tërësi, jemi të mendimit se, duke u
nisur nga problematika madhore që trajton ky
roman, do të na interesonte shumë konsultimi,
mendimi i sektorit përkatës të aparatit të
komitetit qendror për botimin e tij”.

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Shtëpia botuese “Naim Frashëri”
Nr. 202 prot. Tiranë, më 16.5.1983
Sektorit të shtypit të komitetit qendror të PPSH
Lidhur me romanin “Gjakftohtësia” të shkrimtarit Ismail
Kadare1

I.

Romani “Gjakftohtësia” i shkrimtarit I. Kadare është bërë gati për
shtyp nga redaksia përkatëse, por, para se ta nisim për shtyp, e
lexova dhe vetë me kujdes dhe kam këto mendime:
- Së pari, duke u nisur nga parimi se rëndësia e një vepre
letrare përcaktohet në radhë të parë nga përmbajtja e saj,
nga rëndësia e atyre fenomeneve shoqërore dhe ngjarjeve
jetësore që pasqyron, në tërësinë e tij romani
“Gjakftohtësia” është një vepër e realizuar me nivel të lartë
ideo-artistik, me vlera të shumta estetike, edukative,
njohëse, vepër që ngërthen një problematikë të
rëndësishme madhore.
- Së dyti, ky roman është një vepër që i bën jehonë luftës së
partisë e të popullit tonë kundër revizionizmit kinez në
planin ideologjik, politik, ekonomik etj. Në trajtimin e kësaj
linje autori është mbështetur në librin e shokut Enver Hoxha
“Shënime për Kinën” dhe në dokumente e në materiale të
tjera të partisë e të shtetit tonë, në fakte e ngjarje konkrete
nga veprimtaria antishqiptare e kinezëve ndaj vendit e
popullit tonë, në një varg fenomenesh e procesesh negative
në jetën e shoqërisë kineze të viteve kur vendosen ngjarjet
e romanit.
- Së treti, në roman një vend të rëndësishëm zë lufta e PPSH
kundër komplotistëve në ushtri, ku demaskohen si qëllimet
dhe veprimet e tyre puçiste e komplotuese, ashtu dhe puna
e tyre agjenturore.
- Së katërti, një vend të gjerë zë në roman përshkrimi i
njerëzve, mjediseve e ngjarjeve të jetës sonë socialiste në
fund të viteve 1970. Në këtë drejtim duhet theksuar se
merita e autorit është se ai jetën e përditshme të njerëzve
tanë, sidomos përpjekjet e tyre për të mbrojtur e për të çuar
përpara çështjen e socializmit dhe të revolucionit në
Shqipëri, i gërshteton me problemet e mëdha politike e
ideologjike të kohës, veçanërisht duke i analizuar këto
përpjekje në sfond të ngjarjeve të mëdha me jehonë
ndërkombëtare, si demaskimi i tradhtisë së revizionistëve
kinezë dhe i revizionistëve të çdo ngjyre nga PPSH.
- Së pesti, në roman spikat fort dhe drejt ideologjikisht dhe
me nivel të lartë artistik ideja e unitetit parti-popull, ideja se
partinë në Shqipërinë socialiste e ruajnë dhe e mbrojnë të
gjithë, i gjithë populli, mbarë masat punonjëse, se kush vë
dorë mbi partinë, mbi unitetin parti-popull, pëson disfatë,
thyen kokën. Gjithashtu në roman motivohet shumë bukur
se partinë duan ta godasin, ta largojnë nga rruga e drejtë
dhe e vërtetë markiste-leniniste revizionistët kinezë dhe
agjentët revizionistë brenda radhëve të saj, por ata
dështojnë dhe thyejnë kokën, demaskohen, shfuqizohen.
- Së gjashti, interes të madh paraqet në roman kundërvënia e
dy botëve: jeta jonë e gjallë socialiste, e gëzuar dhe
optimiste, i kundërvihet jetës së shterpët, kaotike, të një
vendi të madh si Kina, ku qendrimet oportuniste, eklektike,
të udhëheqjes kineze, paaftësia e saj, jo vetëm që nuk hap
asnjë perspektivë, për ta çuar vendin përpara, por rrezikon,
madje aty-këtu edhe shkatërron disa nga fitoret e
revolucionit demokratik dhe anti-imperialist të popullit të
madh kinez. Afrimi Kinë-SHBA është një nga humbjet më të
ndjeshme të këtij revolucioni anti-imperialist, ashtu sikurse
uzurpimi i udhëheqjes së partisë e të shtetit kinez nga Mao
Ce Duni, Çu En Lai, Hua Kuo Feni etj. është një humbje e
disa fitoreve të popullit kinez, të arritura në revolucionin
demokratik.
- Së shtati, vlen të theksohet se romani pasqyron të vërtetën
e madhe se dëshirat e maoistëve për të përhapur idetë e
tyre në vendin tonë, përpjekjet e tyre për të imponuar në
partinë dhe shtetin tonë pikëpamjet, teoritë dhe praktikat e
tyre antimarksiste, nuk e kapërcyen dot cakun e të qenit
dëshira dhe përpjekje e synime, me përjashtim:
o të ndonjë ndikimi në artin skenik,
o të ndonjë ndikimi në ndonjë ekspozitë të arteve
figurative,
o të ndonjë kritiku që u orvat në shtypin tonë të
afirmonte normat e artit “të ngurtë”, siç është kritiku
CV,
o të ndonjë nëpunësi të ministrisë së arsimit dhe
kulturës për të imponuar qendrimin e kinezëve ndaj
trashëgimisë sonë kulturore.
Eshtë meritë e autorit që i vetmi ithtar i Maos ndër shqiptarët
mbetet personazhi Ekrem Fortuzi, një i deklasuar që lë kokën për
Maon. Ai dhe i deklasuari tjetër, personazhi Llukë Alarupi, janë dy
figura të gjetura e të goditura artistikisht, që mishërojnë te Mao
idenë e zbutjes së luftës së klasave, rrjedhimisht shpresën se
mund të rifitojnë diçka nga pronat e tyre të humbura, ashtu siç
fituan kapitalistët në Kinë.
- Së teti, romani është shkruar këndshëm. Përdoren vizione
të bukura e plot kontraste. Veçanërisht autori i përdor me
mjeshtëri groteskun dhe sakrazmën, qoftë për disa figura të
ish-udhëheqjes revizioniste kineze, si për Mao Ce Dunin, Çu
En Lain, Hua Kuo Fenin e ndonjë tjetër, qoftë për
personazhe të tjerë apo ndaj disa fenomeneve negative të
shoqërisë kineze.

II.

Krahas këtyre vlerave të rëndësishme e të mëdha të romanit, e
ndiejmë të nevojshme e të domosdoshme konsultimin dhe
miratimin tuaj për disa çështje që dalin nga shqyrtimi dhe studimi
i kësaj vepre2. Këto të çështje janë:
- Së pari, në roman flitet për shokun Enver Hoxha 3, për
ndërhyrjen e tij në zgjidhjen e konfliktit midis ministrit D.,
puçist dhe agjent i maskuar i të huajve dhe një numri
oficerësh tankistë që i kundërvihen ministrit D. Flitet për
demaskimin e puçistëve në plenume të komitetit qendror të
PPSH, për pjesëmarrjen e shokut Enver në një mbledhje me
ushtarakët në shtëpinë qendrore të ushtrisë popullore, për
paralajmërimin e më vonë për demaskimin nga ana e
shokut Enver të revizionistëve kinezë. Theksojmë se shoku
Enver si personazh direkt zë në roman rreth 15 faqe (shih
faqet: 61-62, 219, 234, 242, 245, 264, 265, 266, 283, 285,
416, 442-447, 465-468), ndërsa figura e tij ndihet në pjesën
më të madhe të romanit, në sfond.
- Së dyti, në roman flitet për disa çështje të brendshme të
partisë, për mbledhje plenumesh të komitetit qendror të
PPSH, për kritikat dhe autokritikat në kohën e zbulimit të
puçistëve dhe të komplotistëve në ushtri. Përgjithësisht për
këto gjëra flitet drejt. Megjithatë, në pasqyrimin e kritikës
dhe sidomos të autokritikës4, si një armë e komunistëve për
të zhdukur të metat dhe dobësitë e punës, na duket se ka
sarkazëm e ironi të tepëruar5, që në qendrimin e autorit
ndaj “autokritiksve“, siç i quan ai, jo vetëm kur është rasti
që e përdorin këtë armë “ujqërit e regjur të autokritikës“, të
cilëve u shkon qendrimi ideo-emocional i autorit, por edhe
kur e bëjnë atë njerëz të thjeshtë, si p.sh. radisti e ndonjë
tjetër. Këto çështje janë në faqet kur përmendet shoku
Enver, si dhe në faqet 18, 47-49, 415-418, 439-442, 447-
448, 465-468.
- Së treti, në roman, megjithëse përdoret me shumë
mjeshtëri grotesku dhe sarkazma ndaj figurave të tilla si
Mao Ce Duni, Çu En Lai, Hua Kuo Feni e ndonjë tjetër,
prapëseprapë mendojmë se në disa raste është tepëruar
me to6, sidomos në përdorimin e groteskut ndaj Maos, duke
e paraqitur atë në gjendje gati gjysmë-delirante, kurse Çu
En Lain thuajse në agoni. Ne na duket se një paraqitje e tillë
i zbeh ata deri në një farë shkalle si kundërshtarë
ideologjikë të denjë. Po kështu, në roman, kur flitet për
luftën për pushtet midis dy klasave në Kinë, flitet edhe për
klanin e Ten Hsiao Pinit.
- Së katërti, nga ana jonë autorit i janë bërë edhe disa
sugjerime e propozime konkrete, qoftë të karakterit
redaktorial, qoftë për heqjen e ndonjë skene a detaji. Mjaft
prej këtyre ai i ka marrë parasysh, por me disa nuk është
dakord. Kështu p.sh.:
o I kemi sugjeruar autorit të heqë skenën me ekspozitën
e arteve figurative (shih faqet 128-133), ku flitet për
elementë filosovjetikë e filokinezë, për një farë malli e
nostalgjie që kanë të parët për të kaluarën e
marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike. Krahasimi i
prishjes së lidhjeve shqiptaro-sovjetike me shqiptaro-
kineze nuk del i qartë. Nuk kuptohet se cila ishte dobia
e një trajtimi të tillë. Autori këmbëngul që kjo skenë të
mbetet siç është në tekst.
o I kemi thënë autorit që në tekstin e dorëshkrimit nuk
motivohet mirë prania e kritikut C.V., veçanërisht i
kemi sugjeruar të heqë atë pjesë ku flitet për
marrëdhënie midis S. Bermemës me kritikun C.V. në
Pekin. Në mënyrë të veçantë nuk motivohet urrejtja e
S. Bermemës për kritikun C.V. dhe përfytyrimi për
rrahjen e tij. Edhe për këtë skenë autori këmbëngul të
mbetet ashtu siç është në tekst (shih faqet 362-364).
o I kemi sugjeruar autorit të heqë pikëpamjet e Mao Ce
Dunit për dashurinë (shih faqet 92-93), pasi
demaskimi në planin moral i Maos e dobëson disi
seriozitetin e veprës. Por ai nuk është dakord.
o I kemi sugjeruar autorit që të bëhen disa saktësime e
rregullime të tjera të karakterit redaktorial, sidomos
në ato raste kur fraza apo mendimi përgjithësohet,
apo kur krijon ndonjë ekuivok. Këto raste janë shënuar
anash tekstit në faqet përkatëse.
Më në fund theksojmë se, me gjithë mendimet e mira që kemi
për romanin në tërësi, të cilat në mënyrë të përmbledhur i
theksuam në fillim të këtij relacioni, jemi të mendimit se, duke u
nisur nga problematika madhore7 që trajton ky roman, do të na
interesonte shumë konsultimi, mendimi i sektorit përkatës të
aparatit të komitetit qendror për çështjet që ngritëm më sipër
dhe për botimin e tij.
Drejtori
PS: Bashkë me këtë relacion po ju dërgojmë dhe tekstin e
romanit. Lutemi, pasi të keni mbaruar punë, ky tekst të na
kthehet.

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në
Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“,
Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004.
2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 98, Viti 1983, fl. 1-6.
3. Shkurtesa në dosje: “Informacione të shtëpisë botuese
“Naim Frashëri” dhe të sektorëve të arsimit e të shtypit në
aparatin e komitetit qendror të PPSH me mendime e vërejtje
për romanin “Gjakftohtësia” të shkrimtarit Ismail Kadare.
4. Në fl. 1 gjendet shënimi i A. Kondos, shef i sektorit të
kulturës: “E morëm nga sh. Miti (Tona) më 23 maj 1983, ora
14.00, nënshkrimi”.
5. Në tekst ka nënvizime të nëpunësve që e kanë lexuar.

__________
1. Titulli si në original.
2. Nënvizuar nga autori.
3. Nënvizuar nga autori.
4. Nënvizuar nga autori.
5. Nënvizuar nga autori.
6. Nënvizuar nga autori.
7. Nënvizuar nga autori.

DOKUMENTI NR. 31:

“Romani “Gjakftohtësia” është një satirë dhe
përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë
e tij. Ai është i gabuar ideologjikisht dhe i
pabotueshëm. Kanë gabuar rëndë edhe shokët e
jurisë që i kanë dhënë çmimin e parë. Një ide
krejtësisht e shtrembër e romanit është ajo e
luftës së liberalizmit kundër obskurantizmit, apo
e Azisë me Europën“.

Mbi romanin “Gjakftohtësia“1

- Nga studimi i romanit duket qartë se ai është i gabuar
ideologjikisht dhe i pabotueshëm, prandaj romani nuk duhej të
ishte dërguar në aparatin e komitetit qendror të partisë. Shokët e
shtëpisë botuese duhej të ishin thelluar në përmbajtjen e kësaj
vepre. Ata janë treguar oportunistë. Po ashtu kanë gabuar rëndë
edhe shokët e jurisë që i kanë dhënë çmimin e parë.
- Ne nuk mund të pranojmë që vepra të botohet dhe pastaj kritika
ta hedhë poshtë. Për ta evituar këtë nuk do të lejojmë të botohet.
Nuk duam të çorientojmë opinionin publik, sidomos në këto
situata.
- Duke mos e botuar, ne e ndihmojmë edhe I. Kadarenë si autor
dhe si komunist. Ismaili është kritikuar disa herë për gabime në
krijimtari. Me romanin “Gjakftohtësia“ ai po bën një gabim të ri të
rëndë. Ismaili duhet ta çrrënjosë nga ndërgjegjja e vet se shkruan
vepra për publikun e huaj.
- Romani “Gjakftohtësia” është një satirë dhe përqeshje me
socializmin, me parimet dhe idetë e tij2. Kjo satirë dhe tallje
fshihet nën idenë e goditjes së “socializmit” kinez dhe të
“majtizmit” të tij. Gjer këtu është disi e fshehtë. Por ajo shfaqet
haptazi pastaj në faqet e romanit, përmes ideve dhe frazave të
dykuptimta, me të cilat është mbushur gjithë vepra. Le të
marrim, fjala, vjen, qendrimin e autorit ndaj puçistëve, në kohën
kur ata bëjnë autokritikë. E gjithë kjo është një tallje, një ironi, një
ekuivok. Bashkë me ironinë përzihet edhe zymtia e gjendjes:
shkarkime, arrestime, burgosje, kritika dhe autokritika. Për
mbledhje të zhvilluara sipas porosive të komitetit qendror e të
sekretarit të parë autori shkruan me tallje se si zgjasin gjer në
mesnatë dhe njerëzit i zinte gjumi.
- Në roman, nga faqja në faqe, ironia, tallja dhe përqeshja ndaj
kritikave dhe demaskimeve që u bënte partia komplotistëve dhe
devijatorëve sa vjen e thellohet, aq sa kthehet kundër veprimeve
tona. Ironitë dhe sarkazmat ndaj socializmit, terminologjisë që ne
përdorim dhe talljet me gjëra të shenjta e mbushin gjithë romanin
e I. Kadaresë. Disa përshkrime e bëjnë socializmin si një zymtësi,
ku njerëzit dridhen për fatin e tyre, për fatin e të afërmve dhe në
përgjithësi për të ardhmen. Autori e zhvesh personalitetin e
njeriut në socializëm, e bën pa vlerë.
- Këtu është e qartë ideja e shkatërrimit të njeriut, e frikës, e
etheve, e pasigurisë që krijon lufta e klasave në socializëm, sipas
autorit. Bile, sipas tij, edhe arti vritet në këtë situatë të luftës së
klasave. Ai vë në gojën e shkrimtarit Skënder Bermema këto
fjalë: “Ju të gjithë së bashku ma vratë romanin”. Eshtë për t’u
habitur se si redaktorët e shtëpisë botuese të lënë fraza e
mendime të tilla të shprehura haptazi kundër parimeve tona.
- Kritika ndaj Mao Ce Dunit dhe Çu En Lait i kapërcen të gjithë
kufijtë. Mao Ce Duni është vizatuar si një njeri i fantaksur, që rri
jashtë çdo realiteti dhe që nuk ka asnjë meritë. Ai është kultivues
i marihuanës dhe i urrejtjes për artin dhe letërsinë. Armik i
mendimit njerëzor dhe në mënyrë të veçantë i europianëve në
tërësi. Të kësaj natyre janë edhe Çu En Lai, Hua Kuo Fen dhe Lin
Biao. Për autorin gjithë problemi është që Shqipëria të ruajë
“rezervat e europianizmit” dhe të mos “aziatizohet”. Dhe “për të
trullosur trurin e Europës“ Mao Ce Duni, sipas autorit, shpik idetë
e tij dhe marihuanën. “Trullos një herë Europën, i kishte thënë
para ca kohësh Çian Çini, dhe zëre se ke trullosur botën. Truri i
Europës është më i keqi nga të gjithë”.
- Një ide krejtësisht e shtrembër e romanit është ajo e luftës së
liberalizmit kundër obskurantizmit, apo e Azisë me Europën, e
“kinezërisë” me “europeizmin”. Kjo nuk ka të bëjë fare me luftën
parimore të marksizëm-leninizmit me revizionizmin apo
ekstremizmin kinez. Kinezët dhe aziatikët ai i quan inferiorë ndaj
europianëve dhe të paaftë për të shpënë shoqërinë para. Për
autorin gjithë problemi është që Shqipëria të ruajë “rezervat e
europeizmit”.
- Në romanin “Gjakftohtësia” shprehet ideja e gabuar se populli
ynë nuk i donte kinezët dhe miqësinë me ta, por këtë ia ka
imponuar Partia dhe shteti ynë. Sipas autorit, kush fliste keq për
kinezët e pësonte, hiqej nga puna ose qarkullohej. Për të bazuar
këtë ide ai ka krijuar edhe një personazh të fantaksur, Viktor
Hilën, edhe një personazh kinez jo më pak të fantaksur. Njerëzit
mezi presin që të prishen me Kinën. Dhe, kur marrëdhëniet
prishen, padurimi shkon gjer atje sa punëtorët ngjiten në antenën
e agjencisë kineze “Hsinhua” që ta prishin!
- Edhe nga niveli artistik romani qendron më poshtë nga gjithë
veprat e tjera të autorit. Kemi personazhe pa botë, të fantaksur,
ekscentrikë, ose të mbyllur brenda guackës së tyre
mikroborgjeze. Shumica e personazheve të palës sonë janë
liberalë, mikroborgjezë, ata nuk munden t’u kundërvihen
pikëpamjeve kineze me pikëpamje marksiste. Gjergji, personazhi
kryesor, të kujton B. Strugën. Ai është thjesht një korrier që
realisht nuk di gjë. Ai nuk mund të bëjë politikën e madhe të
shtetit, sado që autori përpiqet ta zbukurojë3.
29.7.1983

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në
Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“,
Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004.
2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 98, fl. 29-39.
3. Në krye ka shënimin “Shënime për takimin me drejtorin e
shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe autorin e romanit I.
Kadare”. Nuk është e qartë se cila zyrë e ka zhvilluar këtë
takim. Letra e shtëpisë botuese i është drejtuar sektorit të
shtypit të aparatit të komitetit qendror të partisë, por ky i
fundit ia ka përcjellë edhe sektorit të kulturës.
4. Nga teksti del se është përdorur për këtë takim edhe
relacioni i R. M., specialist për letërsinë në institutin e
studimeve marksiste-leniniste.
5. Bashkëlidhur me verbalin gjenden dy shënime: “Mendimet
tona për moslejimin e botimit të romanit “Gjakftohtësia” iu
thanë vetë autorit, I. Kadaresë, dhe drejtorit të shtëpisë
botuese “Naim Frashëri“. Romani është i gabuar ideologjikisht.
Për këtë u informua edhe shoku Ramiz dhe shoqja Nexhmije.
Ishin dakord me vërejtjet. A. K, shef i sektorit të kulturës,
shtator 1983“. Një frazë e shënimit nuk qe e mundur të
deshifrohej. Në shënimin tjetër thuhet: “Në tërësi nuk më
duket i arrirë pasqyrimi i figurës së shokut Enver në roman. Në
ato vende ku përmendet shoku Enver nuk justifikohet si duhet
roli dhe figura e tij. Ka disa fjali e fraza që janë të pagoditura
dhe nuk shkojnë. Eshtë e nevojshme të verfikohen e të
saktësohen gjithë citatet që sillen në faqet e ndryshme të
romanit, që jepen në thonjëza e që vihen në gojën e shokut
Enver. Sektori i shtypit, K. K., instruktor, 10.6.1983“.

__________
1. Titulli është i vetë dokumentit.
2. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri“ dhe në të
përditshmen “Zëri“, dhjetor 2004, Prishtinë.
3. Botohet me shkurtime, nuk janë përfshirë pjesët ilustruese. Autori
i verbalit nuk ka nënshkruar.
DOKUMENTI NR. 32:

“Për mua si shkrimtar dhe koleg i Dhori Qiriazit,
si edhe për shokët e tjerë të kryesisë së Lidhjes
së Shkrimtarëve, ka qenë përherë i
pashpjegueshëm qendrimi që është mbajtur për
një kohë ndaj këtij poeti, që është një ndër më
të mirët e letërsisë sonë”.

Shoku Hekuran,
Më falni që po ju shqetësoj, duke ju dërguar letrën e poetit Dhori
Qiriazi, i cili ju është drejtuar juve, me sugjerimin tim.
Ka shumë vite që ai i ka bërë administratës sonë shtetërore një
kërkesë të natyrës thjesht humane1: të shikojë, pas 50 vjetësh,
për herë të parë, dhe me siguri të fundit, babanë e vet, emigrant
ekonomik i vitit 1938 në Australi.
Për mua si shkrimtar dhe koleg i Dhori Qiriazit, si edhe për shokët
e tjerë të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, ka qenë përherë i
pashpjegueshëm qendrimi që është mbajtur për një kohë2 ndaj
këtij poeti, që është një ndër më të mirët e letërsisë sonë. Ne,
shokët e tij, e kemi njohur atë si një shkrimtar të shquar dhe si
njeri shumë të mirë. Ndonëse ne disa herë kemi kërkuar
shpjegime për qendrimin ndaj tij, këto shpjegime nuk janë dhënë
kurrë3, deri sa, para disa vitesh, ai e rifitoi prapë të drejtën e
botimit, të cilën, ndonëse de jure nuk i qe hequr, de facto nuk e
gëzonte më.
Tani, me sa duket, një hije e atij qendrimi të dikurshëm, hije që
as ai vetë, as ne, kolegët e tij, nuk e dimë nga i vjen, vazhdon ta
ndjekë herë pas here këtë shkrimtar. Ndryshe nuk ka si
shpjegohet që, për një kërkesë që do t’i zgjidhej cilitdo qytetari
që do të kishte kushtet e nevojshme, këtij poeti të shquar
vazhdon të mos i plotësohet.
Eshtë kjo arsyeja që unë i sugjerova t’ju drejtohet drejtpërdrejt ju,
me besim të plotë se ju do t’ia zgjidhni këtë problem4.
Ju lutem edhe një herë të më falni për shqetësimin5,
Me respekt të përhershëm,
Ismail Kadare

1. Gjendet në: AQSH, Fondi 779, Dosja 2, fl. 1-4.
2. Ruhet në dorëshkrim, me ndërhyrje të karakterit redaktues
nga autori.
3. Nuk mban datë, por duhet të jetë e viteve 1982-1984.

__________
1. Variant i shuar në vend të shprehjes “thjesht humane”: “për të
cilën ka të drejtë çdo qytetar e aq më tepër një shkrimtar”.
2. Eshtë shuar fjala “të gjatë”.
3. Eshtë shuar shprehja “nga askush”.
4. Eshtë hequr shprehja “të zgjatur padrejtësisht pa arsye kaq
shumë”.
5. Bën përshtypje mirësjellja zyrtare e autorit. Në vitin 2002, kur
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave duhej t’i drejtohej shkrimtarit I.
Kadare për dhënien e lejes për botimin e poemës së humbur
“Pashallarët e kuq”, në përgjigje të “paralajmërimit” tim se nuk
duhej të çuditej nëse në letër do të gjente disa shprehje të
karakterit zyrtar, Kadare u përgjigj: “Aspak, përkundrazi, mua më
pëlqejnë sjelljet shtetërore”.

DOKUMENTI NR. 33:

“Nuk ka vepër të Ismail Kadaresë që të mos jetë
kritikuar dhe që të mos e ketë punuar për herë
të dytë“.

Çështja e tretë: artikulli “Për ngritjen e nivelit në letërsi“
dhe novela “Krushqit janë të ngrirë”1

Artikulli i Ismailit ka bërë shumë jehonë2.
E lexova edhe unë atë artikull. Ismaili është tip i zgjuar3. Ai ka
shfrytëzuar fjalën time në takimin me shkrimtarët dhe artistët
korçarë, ku, midis të tjerave, vija theksin edhe tek lufta kundër
nivelit mesatar e mediokër në letërsi e arte4. E ka kuptuar mirë ai
atë dhe ngre disa probleme, të cilat në thelb i ka drejt, se ka një
qetësi në letërsi dhe po ndiqet vija që të mos ketë maja, po të
ketë më mirë rrumbullakim dhe nivelim. Artikullin e lexova me
vëmendje, se edhe kohë kisha, dhe më duket se të gjitha gjërat
që ngre i ka në rregull, por i bën me një mllef. Për shembull,
kritikon Thanas Lecin5, dhe ka të drejtë që e kritikon, se Thanasi
kërkon t’i rrafshojë shkrimtarët6. Unë e kam thënë disa herë dhe
prapë po e them, që në letërsinë e sotme botërore mbizotërojnë
veprat e Amerikës Latine. Ka gjithë ato vepra, që nuk i merr vesh
njeri. Po ashtu, edhe te seritë e veprave të zgjedhura janë futur
krijime pa ndonjë vlerë dhe që nuk e meritojnë. Ose merrni
televizionin, filmat. Ka ca filma mizerabël, që nuk shikohen.
Mësuam historinë e Romës përmendësh. Ka filma të rinj shumë të
bukur, nga ana shoqërore shumë të fortë, që mund të shfaqen,
por është frika për të qenë brenda. Prandaj, siç e thashë, Ismaili
në thelb ka të drejtë që i ngre ato gjëra. Ai është i pari që kritikon
librin e Dritëro Agollit “Trandafil në gotë“. Edhe unë ka dy vjet që
ua kam thënë ç’është ai libër. Prandaj mirë bën që kritikon. Por,
siç thashë, aty duket edhe mllefi i tij, si dhe ajo, që i ngre gjërat
nga një pozitë, si të thuash, e një njeriu që thotë “unë jam“, pra,
me një çikë mendjemadhësi. I tërë problemi dhe mllefi i tij këtu
është, që ai ka shkruar, por nuk i botojnë krijimet e tij, dhe ai nuk
është i bindur për ato që ia kanë kthyer. Po të ishte i pastër vetë
ky, kritika e tij do të kishte më shumë vlerë, sepse të kritikuarit
nuk gjykojnë kështu siç gjykojmë ne, që në thelb ai ka të drejtë.
Ata gjykojnë këtë të fundit, domethënë që ky kritikon ka bërë
këtë dhe atë, nuk ka vepër të Ismail Kadaresë që të mos jetë
kritikuar dhe që të mos e ketë punuar për herë të dytë. Të tërë e
thonë këtë. Pra, nga kjo u vjen inat atyre pse shkruan dhe
kritikon ky në shtyp.
Eshtë dhe ajo që thoshte Ismaili në artikull, për cilësimin “klasik“
të letërsisë. Duke e quajtur klasik të letërsisë, thotë, do t’ia
bënim më të gëzueshme ditëlindjen një krijuesi, por do t’i
shkaktonim çrregullime të rënda kësaj pasurie kombëtare.
Njerëzit duhet të nxjerrin konkluzione nga kritikat. Edhe Ismailit
mundet t’i bëhet vërejtje: ti që bëke këto kritika, pse nuk bën dhe
për vete, se edhe ti ke faje shumë. Por vetëm ka një gjë: se nga
pikëpamja e mediokritetit, thotë ai, nuk vuajnë krijimet e mia.
Nga pikëpamja e lajthitjeve, po. Për këtë kritika më ka bërë
vërejtje, dhe unë kam pasur vullnet e kurajo ta ripunoj librin të
tërë. Kam shkruar keq, e kam bërë mirë. Këtu jam ndalur dhe
kam bërë autokritikë, por që të shkruaj ndonjë gjë, në kuptimin
sa për të kaluar radhën, këtë nuk e ndesh në asnjë vend.
(Ndërhyrje e F. Çamit): Për këtë nuk e akuzon dot. Ja, tani ka
dërguar në shtyp një vëllim me tregime e novela, por ka ngecur
puna në diçka, sepse atje ka përfshirë edhe një novelë për
ngjarjet në Kosovë. Natyrisht, nuk është keq që, përveç artikujve
që janë shkruar, edhe letërsia të japë përgjigje për ngjarjet, duke
dhënë kontributin e saj. Dhe Ismaili, duke e ndjerë këtë detyrim si
shkrimtar, ka shkruar këtë novelë7, duke vënë në qendër një
ngjarje konkrete dhe pikërisht klinikën ku janë mjekuar të
plagosurit gjatë demonstratave, ku ka qenë doktoreshë Sadete
Mekuli. Pra, bëhet fjalë për Mekulët. Ismaili i merr në mbrojtje
këta nga një pozitë e drejtë dhe kritikon serbët dhe ata të tjerët.
Problemi këtu është se mos u japim armë serbëve kundër këtyre,
mos bëhen objekt sulmi dhe u rëndohet më shumë gjendja.
(Vijim i diskutimit të R. Alisë): Jo, atë armë nuk ua japim ne
serbëve, se ajo është vepër letrare dhe aty flitet me gjuhën e
personazheve, por është aspekti tjetër, që a duhet letërsia jonë
të fusë xixa në problemin e Kosovës. Ky është problemi.
Domethënë, mos na e interpretojnë ata si një zgjidhje për një
frymë kundër serbëve me anën e letërsisë? Kjo duhet matur, po
jo pse flitet për Mekulët. Për atë u del Hasan Mekuli 8 atyre dhe u
thotë: “Pse, çdo njeri që ngjan me mua unë jam?!“ Ajo është
letërsi. S’prish punë për ata, se klinika ka shumë. Bile klinikën, po
të duash, e shpie që nga Gucia në Mitrovicë ose në Ferizaj, për
shembull. Ajo nuk ka rëndësi, se klinika ka plot. Edhe doktoresha
ka me mijëra.
(Ndërhyrje e F. Çamit): Këtë problem ma ngritën shokët këtu, të
shtypit dhe të kulturës9, dhe ata që merren me Kosovën, të cilët
nuk ishin dakord që të botohej, për atë që të mos rëndohen
Mekulët.
(Vijim i diskutimit të R. Alisë): Mos kini merak për ata. Ja, ne
botuam fjalimin e Rexhep Qosjes. Pse nuk u rëndua Rexhep
Qosja?! Nuk tha Rexhep Qosja pse ma botuat, por mirë bëtë që e
botuat. Që kur ka shkruar, ai e di si do të mbrohet. Edhe Hasan
Mekuli e di si të mbrohet. Po problemi tani është se po të botosh
këtë novelë duket sikur fillon një fushatë kundër serbëve.
Megjithatë, ta shikojmë edhe një herë dhe të vendosim. Ma jepni
ta lexoj edhe unë, por tani për tani nuk mund ta botojmë, se nuk
është momenti10.

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në
Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“,
Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004.
2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 104, Viti 1985, fl. 5-10.
3. Titulli në dosje: Për artikullin e Ismail Kadaresë “Për ngritjen
e nivelit në letërsi“ dhe novelën “Krushqit janë të ngrirë”.
4. Përmban kryesisht diskutimin e R. Alisë.

__________
1. Titulli është i stenografisë së tekstit të takimit.
2. Fjalë që i takojnë F. Çamit, sekretar i komitetit qendror. Diskutimi
u zhvillua në takimin ditor të datës 30 tetor 1985.
3. Në vijim, me përjashtim të pjesëve të identifikuara në emrin e F.
Çamit, gjithë teksti është diskutim i R. Alisë.
4. Shënim i stenografuesit: “Botuar në gazetën “Zëri i popullit“,
27.10.1985.
5. Shënim i stenografuesit: “Drejtor i shtëpisë botuese “Naim
Frashëri”.
6. F. Çami njofton se drejtori i shtëpisë botuese ka protestuar
kundër kritikës dhe se ka porositur që ai të merret me thelbin, jo me
anët personale.
7. Shënim i stenografuesit: “Kjo novelë përfshihet në vëllimin “Koha
e shkrimeve” të Ismail Kadaresë.
8. Studiues dhe pedagog i letërsisë në Prishtinë.
9. Përmenden emrat e funksionarëve.
10. Disa ndërhyrje formale të të pranishmëve nuk janë në tekstin e
botuar.

DOKUMENTI NR. 34:

“Pozicioni i shkrimtarit, që nuk është as për
partinë komuniste, as për Ballin, del nëpërmjet
rimës së dokrrave fëminore: “Xhundra-
bullundra!” dhe “Shaftra-kallamashaftra!”. I
pari është pesërrokëshi, slogani komunist
(“Vdekje fashizmit!”), ndërsa i dyti, “Shaftra
kallamashaftra!”, imiton rimën e sloganit ballist
“Shqipëri e shqipëtarëve!”1

I.

Në mars të vitit 1966, komiteti qendror i PPSH u adresoi
intelektualëve një “letër të hapur“, me anë të së cilës i ftonte për
punë fizike në fabrika, në kooperativa bujqësore, hidrocentrale,
hekurudha dhe në objekte të tjera të ndërtimit socialist të vendit,
me qëllim që kështu shkrimtarët të njiheshin, për shembull, me
problemet ekonomike dhe të shkruanin për to. Përgjigjja e
Kadaresë ishte “Dasma“ (1967), një “roman-reportazh“, ku
përshkruhet jeta e një brigade vajzash që bëjnë punë vullnetare
për ndërtimin e një hekurudhe diku në Shqipërinë qendrore. Dy
prej tyre përfundojnë si prostituta; stacioni hekurudhor është
quajtur “stacioni pa emër“; njëri nga trenat përshkruhet si
“ekspresi trans-europian“. Vagonat nuk kanë ndarje. Janë
modernë dhe shembëllejnë me dhoma pritjeje të pajisura bukur.
Altoparlantët përhapin muzikë. Me një fjalë, romani ka me
shumicë thumba të tillë të thartë, që vënë në lojë propagandën
shtetërore, e cila trumbeton arritjet socialiste. Frazat e
mëposhtme, për shembull, janë pjesë e fjalimit të sekretarit të
partisë të stacionit hekurudhor: “Duke i ngritur gratë në poste me
përgjegjësi, iniciativa e pleqve të Lapardhasë...“ Emri “Lapardha“
mund të lexohet si një kompozitë, në të cilën pjesa e parë është
nyja e italishtes “La“ dhe pjesa e dytë “pardha“, domethënë
“pordha“2. Në botimin e dytë, 1980, kjo fjalë është hequr dhe
zëvendësuar me “pleqtë e Korçës“. Eshtë e kuptueshme pse në
historinë zyrtare të letërsisë së realizmit socialist, e cila merret
hollësisht me veprat e Kadaresë, romani “Dasma“ nuk përmendet
fare. Pikërisht në këtë roman Kadare fillon të farkëtojë armët e
veta subversive, të cilat do t’i mprehë në veprat që do të vijnë
më vonë. Këtu ai perfeksionon mënyrën e tij të veçantë të të
shkruarit: një mënyrë të shkruari me dy kuptime, e tërthortë dhe
me analogji, shpesh alegorike, që theksojnë insinuata iluzive dhe
paralelet e largëta - një stil narrativ ku njeriu gjen gjithkund ironi
keqdashëse të shkallëve të ndryshme, mbështetur në mjete të
tilla retorike, si: elipsi, hiperbola, karikatura dhe grotesku. Një
mënyrë të shkruari, pra, që mund të krahasohet me atë të një
ngjale elektrike, që synon më shumë të trondisë se sa të befasojë
- një përdorim gjuhe që i përngjet mënyrësi si prestidigjitatori
përdor duart3.

II.

Thyerja e ushtrisë italiane prej ushtrisë greke, e cila e solli luftën
në jug të Shqipërisë, ka qenë një faktor nxitës për nisjen e
lëvizjes nacionalçlirimtare. Partia komuniste u formua në fund të
vitit 1941.
Episodi i parë politik në “Kronikë në gur” gjendet në kapitullin e
14-të. Ky nis me një skenë që tregon dy kamionë të mbushur plot
me antifashistë, të cilët do t’i internojnë. Arsyeja, sipas përgjigjes
që i jepet një kalimtari, është se “kanë folur kundra”. Ditën tjetër
narratori dhe shoku i tij vendosin që edhe ata të dy “të flasin
kundra” nga maja e çatisë: “Xhundra-bullundra!”, thashë.
“Shaftra-kallamashaftra!” - tha Iliri. Një copë herë u menduam.
“Rroftë Shqipëria, - tha Iliri. - Poshtë Italia!”. “Rroftë populli
shqiptar!”, “Poshtë populli italian!”. Heshtje. Këtë herë Iliri u
mendua: “Gabim, - tha, - Isai ka thënë se populli italian s’është i
keq”. “Jo, - ngula këmbë unë, - gjersa janë të këqij aeroplanët, si
mund të jetë i mirë populli?” Iliri u hutua. Siç dukej mund t’i
kthehej mendja. Por tamam në kohën që po i kthehej mendja, tha
me kokëfortësi: “Jo! Ti je tradhtar! Poshtë tradhtarët! Poshtë
vëllavrasja!“ - tha Iliri, dhe bëri gati grushtin“.
Dialogu paraqet tamam efektin e sloganeve politikë tek fëmijët.
Indiferentë për politikat, ata luajnë me to, siç bëjnë me gjuhën në
përgjithësi, duke imituar tingujt dhe duke ngatërruar kuptimet e
tyre. Këtu “Rroftë Shqipëria!“ dhe “Poshtë Italia!“ paraprihen nga
dokrra fëmijësh. Në të njëjtën kohë narratori ngatërron fashizmin
italian me popullin italian. Shoku i tij e korregjon: ka dëgjuar nga i
vëllai, një student komunist, se populli dhe shtetet nuk janë e
njëjta gjë. Narratori i përgjigjet me silogjizëm tipik fëminor, me të
cilin nuk arrin t’i mbushë mendjen shokut. Narratori zemërohet
dhe e quan tradhtar. Shoku i tij përgjigjet me sloganin ballist
“Poshtë vëllavrasja!”. Në fundin e kapitullit pararadhës një
kryetar balli i bën thirrje popullit kundër luftës vëllavrasëse.
Tashmë është derdhur gjaku i parë ndërmjet partizanëve dhe
nacionalistëve. Komunistët akuzojnë ballistët për kompromis me
fashizmin, duke tradhtuar kështu çështjen e çlirimit kombëtar.
Ballistët i quajnë komunistët tradhtarë, që bëjnë lojën e partisë
komuniste jugosllave për të realizuar qëllimet e tyre
revolucionare finale. Shkëmbimi i dy sloganeve të fundit i ngre
fëmijët në shkallën e dy kampionëve të dy partive politike
opozitare, ku narratori përfaqëson pozicionin e partisë komuniste
dhe shoku i tij të ballistëve.
Cili është qendrimi i Kadaresë në këtë pikë? Pozicioni i narratorit,
që nuk është as për partinë komuniste, as për Ballin, del
nëpërmjet rimës së dokrrave fëminore: “Xhundra-bullundra!” dhe
“Shaftra-kallamashaftra!”. I pari është pesërrokëshi, slogani
komunist (“Vdekje fashizmit!”), ndërsa i dyti, “Shaftra
kallamashaftra!”, imiton rimën e sloganit ballist “Shqipëri e
shqipëtarëve!”, slogani ballist për Shqipërinë etnike sipas kufijve
të vet gjuhësorë4.

1. Fragment nga libri “Subversion drejt konformizmit: fenomeni
Kadare”, artikull i A. Pipës, botuar në “Telos“, New York 1987.
Përkthimi është i Bardhyl Shehut (Durrës, 1991).
2. Në të njëjtën mënyrë, domosdoshmërisht paditëse, studiuesi
shpjegon edhe shprehjen “mensat e përbashkëta” që përmendet tek
romani “Kronikë në gur”, ku, sipas arsyetimit të tij, shkrimtari, duke
shkruar këtë togfjalësh, në mendje ka pasur shprehjen analoge
italisht, domethënë “mensa commune”, që do të thotë se fashizmi
(përfaqësuar me fjalën “mensa”) dhe komunizmi (përfaqësuar me
fjalën “commune”), janë njësoj. Në tërë studimin ka arsyetime të
tilla akrobatike për të gjetur “rebelin antikomunist” edhe tek një
roman si “Dasma”. Duke e cilësuar atë si letërsi trumbetuese,
studiuesi e akuzon shkrimtarin se ka parodizuar komunizmin. Tërheq
vëmendjen fakti se analiza për romanin “Dasma” nis me nëntitullin
“Rebeli”!
3. Fl. 1-3 e përkthimit.
4. Fl. 12-14 e përkthimit.

DOKUMENTI NR. 35:

“Rrallë herë e kam ndjerë veten aq ngushtë, sa
atë ditë. Unë isha vetë në mjerim dhe nga dita
në ditë prisja të rrënohesha, kështu që s’isha në
gjendje të ndihmoja asnjeri”. Letër e I. Kadaresë
drejtuar shkrimtarit Visar Zhiti, 5.7.1991.

I dashur Visar Zhiti1,
Unë nuk të njoh, por kam njohur një ditë nënën tënde. E mbaj
mend atë ditë të hidhur, kur ajo, e veshur me të zeza e plot
pikëllim, më ndaloi në sheshin “Skënderbej” për të më kërkuar
ndihmë për ty, që ishe në burg. Nuk e di në qoftë se të ka
treguar2. Rrallë herë e kam ndjerë veten aq ngushtë, sa atë ditë.
Unë isha vetë në mjerim dhe nga dita në ditë prisja të
rrënohesha, kështu që s’isha në gjendje të ndihmoja asnjeri (më
duket se ishte viti 1982 ose 1983). S’më kujtohet a ia shpjegova
disi këtë gjë…
Qysh nga ajo ditë për mua sheshi “Skënderbej”, përmes të cilit
kaloja çdo ditë, kishte edhe një pamje tjetër, një pamje të
pashlyeshme: figurën e një nëne që rreh të ndryshojë fatin e të
birit. Të lutem, t’i bësh të fala nga unë!
Lexova në gazetën “RD” një artikull tëndin. U gëzova për
mençurinë tënde fisnike, u gëzova edhe më shumë për faktin se
njeriu shqiptar është i aftë për një mençuri të tillë! Kjo është një
shenjë e mirë për të gjithë. Shumë zymti vjen nga Shqipëria,
shumë dëshmpërim, dhe disa herë shumë egërsi. Ndaj për oguret
e mirë kemi të drejtë të gëzohemi.
Të uroj gjithë të mirat ty dhe të dashurve të tu, e në radhë të
parë nënës tënde. Miqve të tu gjithashtu,
Të përqafoj,
Ismail Kadare
Paris, 6.5.1991

__________
1. Botuar për herë të parë në “Kujtesa e ajrit”, Tiranë 1993, f. 203-
204.
2. Në librin “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 155, shkrimtari V. Zhiti e
përshkruan kështu takimin e nënës me I. Kadarenë, ndërsa vetë
ishte në kryerje të dënimit: “Shkova prapë në Tiranë, kërkoja Ismail
Kadarenë. Më thanë se kalonte andej, në sheshin “Skënderbej”, çdo
ditë; aty nga ora 11 dilte a shkonte në degën a klubin a Lidhjen, se
s’ia angallandis emrin, atje ku mblidhen shkrimtarët, llafosin dhe
pinë kafe. Se si m’u duk ai pallat, si ndërtesat e partisë. Prita edhe
ca. “Po vjen”, më tha Iliriani, që e kisha në krah. E ndala Kadarenë
vetë, ia thashë kush isha dhe ç’hall kisha. U ndie shumë ngushtë. Më
vuri dorën mbi sup. “Mbahu!”, - më tha. “Ç’të mbahem, - i thashë, -
dhe ku?”. “Edhe unë jam në mjerim, m’u bë sikur rënkoi. Pres të më
gjejë ajo e djalit tend”. Pastaj iu drejtua të shoqes: ”Afrohu, - i tha
dhe i tregoi se kush isha. Se si më vështroi, thellë, me dëshpërim, si
ikonë. - S’jam në gjendje ta ndihmoj dot, besomë, dhe nuk e di kush
mund ta ndihmojë tani. E takove kryetarin e Lidhjes?”. Ah, ia mbaj
mend të gjitha fjalët: “Kurajë, - tha dhe i bëri duart kështu, i
bashkoi, - bëftë zoti atë që dëshirojmë!”, dhe më përqafoi fort. U
ndamë. Sa e donte djali im! “E ndihmoftë zoti!”, më kishte thënë
Kadareja. Se si e kishte zërin, tjetërsoj. Edhe ai besuakësh në tjetër
gjë më shumë se te partia, megjithëse asgjë s’e ndryshuaka fatin që
të cakton ajo. Kështu duket, por zoti është i madh!

DOKUMENTI NR. 36:

“Në këtë libër nuk ka të vërteta historike. I.
Kadare e di, me siguri, se marrëdhëniet
diplimatike ndërmjet Shqipërisë dhe BS u
ndërprenë në dhjetor të vitit 1961, jo në
pranverë, sikurse del në roman. Ai nuk mund
të mos e dinte se vendimin për likuidimin e
bazës e mori komiteti politik konsultativ i
vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, në
kundërshtim me dëshirën e shqiptarëve dhe jo
në mënyrë të njëanshme nga ushtarakët
sovjetikë“.

“Dimri i madh” (fj. për fj.: “Surovaja zima”, “Dimri i egër“, “Dimri
i ashpër“) është një roman politik, që tregon kulmin e konfliktit në
marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-sovjetike dhe prishjen e
tyre1. Në këtë libër nuk ka të vërteta historike. I. Kadare e di, me
siguri, se marrëdhëniet diplimatike ndërmjet Shqipërisë dhe
Bashkimit Sovjetik u ndërprenë në dhjetor të vitit 1961, jo në
pranverën e atij viti, sikurse del në roman. Nuk mund të mos e
dinte se, një prej heronjve të romanit, gjenerali Zheleznov,
komandanti i bazës luftarake-detare të vendeve të Traktatit të
Varshavës në Vlorë, në të vërtetë nuk ka qenë ndonjë gjeneral
forcash tokësore, por admirali V. A. Kasatonov; sikurse nuk mund
të mos e dinte se vendimin për likuidimin e bazës e mori komiteti
politik konsultativ i vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës në
pranverën e vitit 1961, në kundërshtim me dëshirën e
shqiptarëve dhe jo në mënyrë të njëanshme nga ushtarakët
sovjetikë, befasisht në vigjilje të prishjes së bazës.
Në fakte e kronologji, veçanërisht sa i takon realitetit sovjetik, në
romanin e I. Kadaresë jo gjithçka përputhet me të vërtetat. Ai nuk
mundohet të jetë i saktë, si në një roman-kronikë. Për të është
më e rëndësishme paraqitja e situatës, se rindërtimi korrekt i saj2.
Lexuesi mund të qeshë me fantazinë e autorit, i cili jep, për
shembull, figurën e garderobistit plak në Kremlin, duke dëgjuar
bisedat për skandalin ndërkombëtar në qarqet e larta drejtuese,
si dhe liderët komunistë, që shfaqen të indinjuar nga padrejtësitë
e lejuara në marrëdhëniet me shqiptarët dhe që, për të qetësuar
shpirtërat, nxitojnë për në bar, duke hedhur ndonjë gotë. Këtu, si
dhe në mjaft ambiente të tjera moskovite, shihet një perceptim
tepër interesant i njeriut sovjetik të asaj periudhe. Shkrimtari, në
mënyrë të qëllimshme, vë një mur ndarës midis njerëzve të
thjeshtë, që ndihen të dobët dhe të zemëruar, dhe udhëheqësve
“të shkëputur nga populli“.
Në roman mungon tërësisht episodi në të cilin do të duhej të
tregohej se si udhëheqja shqiptare luajti “kartën kineze“, se si
interesa jo të sinqertë afruan dy aleatët e rinj 3. Në kohën kur u
shkrua romani lidhja shqiptaro-kineze ishte shpërbërë politikisht.
Prandaj hidalgoja fisnik, figura e të cilit na shfaqet e ekzagjeruar,
që mishërohet në figurën e E. Hoxhës, lufton i vetëm për
pavarësinë e Shqipërisë dhe kundër bllokadës sovjetike e
organizatorit të saj N. Hrushov.
I. Kadare e vendos heroin kryesor shqiptar, Besnikun, si dhe
personazhe të tjerë, në bare të këndshëm, në shtëpi të
rehatshme, duke kaluar përpara vitrinave të shndritshme,
përpara tregjeve të bollshëm të Vitit të Ri, duke kaluar nëpër
rrugët e ndriçuara për bukuri të kryeqytetit, duke shëtitur të
shpenguar. Pra, Tirana, një qytet me tiparet e një qyteti të vogël
tipik ballkanik, paraqitet me një fasadë tipike perëndimore, madje
dhe me mënyrën e jetesës. Edhe në këtë rast ai ka rrezikuar
shumë, duke e përshkruar kryeqytetin ashtu sikurse nuk ka qenë
asnjëherë në vitet 19604.
Në mesin e viteve 1970, kur doli në shitje botimi i ripunuar i
romanit të Kadaresë, sapo kishte përfunduar një fushatë e
udhëhequr nga vetë E. Hoxha për çrrënjosjen e ndikimeve të
ideologjisë dhe kulturës borgjeze perëndimore në Shqipëri. Baret
u shndërruan në “ëmbëltore“, u konsideruan si mbeturina të
dëmshme të së kaluarës edhe vizitat tek miqtë, si dhe festat
familjare. Vitet 1973-1975 qenë periudhë represioni, gjatë së
cilës u persekutuan njerëzit e kulturës për fajtorë “për përuljen
ndaj Perëndimit“5.
Pas ndryshimeve të ndodhura tek ne, ashtu dhe në Shqipëri,
romani i I. Kadaresë përftohet ndryshe nga koha kur u shkrua. Ky
nuk është një roman politik i koniunkturave, që tregon se si u
zunë binjakët politikë shoku Enver me shokun Nikita, por një
analizë psikologjike e gjendjes së shoqërisë gjatë periudhës
totalitare, tepër e ngjashme me problemet tona. Mendoj se
kështu duhet të perceptohet ky roman, i cili provon se fuqia
rrafshuese (në origjinal: “katok“) e realizmit socialist është e
pamjaftueshme përpara një talenti të vërtetë, siç është
shkrimtari shqiptar Ismail Kadare6.
Dr. Nina Smirnova,
Moskë 1991

__________
1. Botuar si parathënie e romanit “Dimri i madh“, përkthyer rusisht
nga V. Modestov dhe botuar në Moskë në vitin 1991.
2. Një prej ankimeve më të rëndësishme të vetë kritikës shqiptare,
të asaj publike dhe të asaj të fshehtë, pavarësisht prej pozitave të
ndryshme ideologjike (do mbajtur në mendje opozicioni “komuniste-
revizioniste“) është ai shmangie nga të vërtetat historike.
3. Shih shënimin 2.
4. Përputhje e plotë me qortimet e kritikës vendëse për prirje
perëndimorësuese të autorit për realitetin dhe njerëzit shqiptarë
(për shembull, rinia e rrugës së Dibrës, “broduejsit“).
5. Duket sikur mungon vetëm pyetja: Pse nuk u dënua dhe I. Kadare?
6. Një vlerësim objektivist për autorin.

DOKUMENTI NR. 37:

“Kadare, si gjithmonë, u lexon leksione serbëve
dhe haptas përzihet në punët e brendshme të
republikës federative të Jugosllavisë“.

Në intervistën dhënë NIN-it, Beograd, më 27 tetor 1995,
shkrimtari Ismail Kadare, si gjithmonë, u lexon leksione serbëve
dhe haptas përzihet në punët e brendshme të republikës
federative të Jugosllavisë. Prej shkrimeve të tij nuk shihet në
çfarë kushtesh dhe kur janë vendosur shqiptarët në krahinën
serbe Kosovë e Metohi. Në këtë intervistë Kadare thotë se Kosova
është pjesë e globit tokësor, në të cilën 90 për qind janë
shqiptarë dhe 10 për qind serbë. Prandaj bën pyetjen: “A kanë të
drejtë këta njerëz të jetojnë si dhe gjithë të tjerët, ose ju serbët
tregoni çdo gjë për djepin tuaj, për manastiret e vjetër, për
kronikat, të cilat shpesh janë të rrejshme dhe të deformuara“.
E padiskutueshme është se Kadare e di mirë që krahina Kosovë e
Metohi ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Serbisë dhe se
shqiptarët e islamizuar, me ndihmën e okupatorëve osmanë, me
aplikimin e gjenocidit mbi popullsinë serbe, janë bërë popullsia
më e shumtë e Serbisë. Në kohën kur ka lindur Ismail Kadare në
Kosovë e Metohi akoma kanë qenë 50 për qind serbë e
cernogoras. Nga viti 1941 deri më 1989 janë dëbuar nga vatrat e
tyre shekullore 40 për qind e tyre, prandaj sot në Kosovë ka
vetëm 10 për qind popullsi serbe e cernagorase.
Sigurisht këto nuk janë të vetmet prova të shovinizmit të
Kadaresë. Bile këto nuk janë kryesoret. Por theksojmë se nuk ka
asnjë dyshim se intelektualët shqiptarë, borgjezë e
“antiborgjezë“, janë përzier në punët e brendshme të
Jugosllavisë, duke i nxitur shqiptarët e atjeshëm për rebelim e
kryengritje, në hullinë e pretendimeve të përhershme të
borgjezisë shqiptare për nji Shqipni të Ma-a-adhe. Në këtë hulli ka
qenë e është Kadareja1.

1. Burim joarkivor: Pjesë nga artikulli “Shovinizmi i Kadaresë”
botuar në “revinë artistike-kulturale të shqiptarëve të Zvicrës“
Ylberi, 1998, nr. 7, nënshkruar “D. Reso“.
2. Botohet me shkurtime, përshtatur në shqipen letrare prej
gegërishtes së paranjësuar.

DOKUMENTI NR. 38:

“Ekspertiza e Kadaresë çliroi nga akuza një poet
që ishte paradënuar për krime kundër shtetit“1 -
Bashkëbisedim i autorit të librit me av.
Ferdinand Doja, jurist, hetuesi i çështjes
“Maksi”, për të cilën u pyet me cilësinë e
ekspertit I. Kadare, tetor 2004”

Pyetje: Në karrierën tuaj si ish-hetues, a keni pasur raste
të trajtimit të çështjeve që lidhen me “krime letrare”?

Përgjigje: Në atë kohë nuk kishte shprehje të tilla, por quheshin
“krime kundër shtetit”, ose, siç njiheshin në popull, krime “për
agjitacion e propagandë”. Të tilla kam pasur, si gjithë hetuesit e
tjerë. Njëra prej tyre ka lidhje me një poet të ri, që punonte në një
nga minierat e Tiranës dhe jetonte në fjetoret e minatorëve. Kjo
ka ndodhur në vitin 1986 ose në vitin 1987. Kur kjo çështje m’u
ngarkua mua, i pandehuri ishte i arrestuar. Në atë kohë
paraburgimi ishte shumë më i rëndë se burgimi. Akuza ishte
paracaktuar, “krime kundër shtetit”, ndërsa detyra ime ishte të
provoja këtë akuzë.

Pyetje: Ç’përmbante dosja në ngarkim të të pandehurit në
kohën kur ju u ngarkuat ta hetonit?

Përgjigje: Provat për krimin kundër shtetit ishin: disa libra të
ndaluar që i ishin gjetur gjatë kontrollit të dhomës dhe një vjershë
që ishte vlerësuar me përmbajtje armiqësore.

Pyetje: Kush e kishte bërë vlerësimin se poezia ishte
armiqësore?

Përgjigje: Shefat e mi kishin kërkuar një ekspertim nga një
shkrimtar, i cili në atë kohë kishte edhe vetë probleme me
shtetin, kishte një pjesëtar të familjes të dënuar, kështu që ishte i
detyruar të pohonte atë që i kërkonte hetuesia, edhe për
vetëmbrojtje. Duke i ditur këto fakte, mendova se zgjedhja e
ekspertit duhej të kishte qenë e qëllimshme dhe vendosa të bëj,
si të thuash, një rihetim.

Pyetje: E morët këtë vendim vetëm nga emri i ekspertit të
zgjedhur?

Përgjigje: Jo vetëm nga ky fakt. Më shumë më shtyu diçka
tjetër. Menjëherë sapo filluan seancat e hetimit vura re se kishte
diçka që nuk shkonte ndërmjet akuzës dhe të akuzuarit.
Përgjigjet e tij ishin shumë letrare. Nuk fliste siç flasin njerëzit në
biseda. Më dukej si personazh filmi. Më ndihmoi edhe rasti ta
vërtetoja këtë gjë. E pyeta për një çështje të pandehurin dhe ai
më ktheu si përgjigje fjalinë e një personazhi të një romani që
sapo e kisha lexuar. U bëra më i vëmendshëm ndaj këtij fakti dhe
arrita në përfundimin se ai nuk fliste me gjuhën e vet, por me
gjuhën e personazheve të librave që lexonte. Ishte tamam një
mani. Në një moment i thashë: “Mos më fol si personazhet e
Anatol Fransit, këtu je në hetuesi dhe jo në universitet!” Ai u
trondit nga kjo. Shumë shpejt u binda që ky “poet” edhe në
vjersha duhej të ishte kopjues. Prandaj u kërkova shefave të mi të
më lejonin të bëja një ekspertim tjetër të poezisë, e cila, edhe
mua, me njohuritë që kisha për letërsinë, m’u duk shumë e dobët
për të qenë një argument për akuzën “krime kundër shtetit”.

Pyetje: Pse zgjodhët shkrimtarin I. Kadare për të kërkuar
ekspertim alternativ?

Përgjigje: Kërkesa që bëra për një ekspertim tjetër, qoftë në
rastin e konfirmimit të akuzës, qoftë në rastin e kundërshtimit të
saj, por sidomos në rastin e kundërshtimit të saj, kishte efekte
edhe mbi mua, jo vetëm mbi të pandehurin. Për këtë arsye duhej
të zgjidhja emrin e një personaliteti, i cili të imponohej edhe me
emrin e vet në hetimin e kësaj çështjeje.

Pyetje: Si keni proceduar për marrjen e ekspertizës nga I.
Kadare?

Përgjigje: Fillimisht vendosa ta marr jozyrtarisht mendimin e
Kadaresë. Vajta në shtëpinë e tij dhe i tregova se kam një rast të
çuditshëm, të një poeti që akuzohej për krime kundër shtetit, por
unë nuk kisha bindje se poezia e tij ishte e tillë. Ai më pyeti nëse
mund të njihej me këtë poezi. “Patjetër, - i thashë, - madje unë
kam nevojë për këshillën tuaj”. Kadare e lexoi vjershën dhe u
revoltua. Kjo nuk është vjershë, jo më të jetë armiqësore, më tha.
Këtu nuk ka asgjë kundër shtetit, kundër diktaturës së
proletariatit. Kjo është një poezi banale, pa ndonjë vlerë. Madje
ka mundësi që ky njeri të mos e ketë shkruar vetë. Të tilla
vjersha kanë qenë botuar me shumicë në vitet 1930. Në atë kohë
ka pasur një “letërsi të mëshirës”, sidomos në shtypin fetar.
Duhet parë se mos e ka kopjuar nga gazetat dhe revistat e asaj
kohe.

Pyetje: E njoftuat Kadarenë se një shkrimtar tjetër e
kishte vlerësuar armiqësore përmbajtjen e vjershës?

Përgjigje: Po. Duhej ta njoftoja para së gjithash për faktin se kjo
“intervistë hetimore“ po zhvillohej në shtëpinë e tij. Veç kësaj,
unë nuk doja të abuzoja me autoritetin e Kadaresë, sido që emri
dhe angazhimi i tij ishin një mbrojtje mjaft e frytshme, si për të
pandehurin, ashtu dhe për emrin dhe karrierën time.

Pyetje: Cili qe qendrimi i Kadaresë pas njohjes me këtë
fakt?

Përgjigje: Kadare u shqetësua shumë nga ky fakt, u inatos, mbaj
mend se tha ndër të tjera “ç’janë këta njerëz!“ dhe shtoi
vlerësime më kritike kundër përmbajtjes së akuzës, duke e
quajtur atë qesharake dhe autorin e vjershës një njeri fatkeq, që
mund të merrej më qafë pa asnjë arsye. Ai insistoi që hetuesia të
bënte verifikime, sepse ishte i bindur që poezia nuk ishte
origjinale dhe nuk kishte kuptim që njeriu të dënohej për veprën
e dikujt tjetër, për një vjershë të kopjuar, e cila nuk kishte fare
lidhje me kohën. Të tilla vjersha, tha Kadare, në vitet 1930 kanë
qenë të modës. Në atë kohë shtypi laik shkruante për mjerimin,
siç shkroi Migjeni, kurse shtypi fetar botonte poezi që u kujtonin
të pasurve se edhe ata mund të varfëroheshin, pra, duhej të mos
i harronin hallet e të varfërve në strehat e tyre të ngrohta.

Pyetje: Ç’ndodhi më pas?

Përgjigje: Unë ua paraqita mendimin e Kadaresë shefave të mi,
por ata nuk e përfillën si mendim të shprehur gojarisht. Kjo
natyrisht kishte efekte edhe mbi mua. Të përpiqeshe të çliroje
nga akuza një njeri të arrestuar për krime kundër shtetit, që ishin
krimet më të rënda, të parashikuara në nenin 55 të kushtetutës,
ishte diçka shumë e rrezikshme. Një ose dy ditë më pas shkova
përsëri në shtëpinë e Kadaresë dhe i thashë se eprorët e mi nuk i
morën në konsideratë vlerësimet e tij gojore dhe se çështja ishte
bërë më e implikuar. E pyeta nëse ai mund të m’i jepte me
shkrim mendimet e tij, në formën e një ekspertize profesionale.
Kadare tha se ishte i gatshëm të rikonfirmonte gjithçka që më
kishte pohuar gojarisht më parë. Unë kisha marrë me vete edhe
makinën e shkrimit. Ndërsa Kadare fliste, unë stenografoja
tekstin në makinën e shkrimit. Gjatë diktimit të ekspertizës
Kadare i forcoi tonet mbrojtëse ndaj poetit të akuzuar. Ai theksoi
se kjo poezi ishte e rëndomtë, pa mendim, pa asnjë aluzion apo
kundërvënie ndaj sistemit politik, me një frymë altruiste të
kopjuar prej një mendësie anakronike për kohën, të një mendësie
predikuese që shoqëria shqiptare e kishte kaluar qysh në vitet
1930. Në fund ia dhashë për ta nënshkruar dhe ai e nënshkroi.
Teksti u shtyp në dy kopje. Në fakt edhe unë e ndieja veten më të
çliruar.

Pyetje: Kjo ekspertizë u mor nga ana juaj prej Kadaresë
për shkak të ndonjë lidhjeje vetjake apo në mënyrë
institucionale?

Përgjigje: Unë kisha një njohje me Kadarenë dhe kjo ma
lehtësonte punën, por në atë kohë në institucionin e hetuesisë
sundonte mendimi se mund të thirrej zyrtarisht cilido qytetar,
duke përfshirë edhe Kadarenë, për të dhënë mendim për një
çështje. Pra, unë mund të kërkoja mendim nga Kadare edhe
zyrtarisht. Fakti që kisha shkuar në shtëpinë e tij me makinën e
shkrimit me vete do të thotë se do të bëja detyrën në shtëpinë e
tij dhe jo në zyrën time.

Pyetje: A u bënë hetime për të verifikuar nëse poezia
ishte origjinale apo e kopjuar?

Përgjigje: Po, tashmë çështja mori një karakter mjaft më serioz
dhe më delikat. Krahasimi duhej bërë doemos. Kadare nuk kishte
gabuar aspak në intuitën e tij. Ne gjetëm që poezia e të
pandehurit ishte e kopjuar nga një prej gazetave të bashkësisë
islame. Por edhe po të mos ishte gjetur kjo, emri i Kadaresë
mendoj se do të ishte i mjaftueshëm për ta mbyllur çështjen.

Pyetje: A e mbani mend përafërsisht ç’përmbante poezia?

Përgjigje: Jo saktësisht, por në thelb ishte kjo:
Ju njerëz, që rroni në shtëpi komode,
Mos harroni se atje poshtë bën ftohtë.
Kjo shprehja e fundit, “atje poshtë“, ishte vlerësuar si shprehje e
ndarjes së shoqërisë në klasa, ku të pasurit harronin të braktisurit
në hallet e veta.

Pyetje: Ç’ndodhi më pas me procesin?

Përgjigje: Eprorët e mi, pasi u njohën me ekspertizën e
Kadaresë dhe me krahasimet me poezitë e viteve 1930, ranë
dakord me propozimin që çështja të pushohej dhe poeti të lirohej.
Kjo ka ndodhur shumë rrallë. Ishte e vështirë që një i
paraburgosur me akuzën për krime kundër shtetit të lirohej. Kjo
bëri që edhe unë ta ndieja veten të çliruar.

Pyetje: Ç’kontakte keni pasur më vonë me të pandehurin?

Përgjigje: Nuk kam pasur asnjë kontakt. Në vitet 1980 kjo nuk
ishte e lejueshme, si të thuash, përbënte një konflikt me detyrën.
Më pas nuk jemi kujtuar për këtë episod as unë, as i pandehuri.
Kujtoj vetëm emrin e tij, quhej Maks, gjithashtu kujtoj moshën e
tij, rreth 30 vjeç, si dhe pamjen, e cila më shtynte vazhdimisht të
pyesja veten: “Vallë prej këtij t’i vijë e keqja pushtetit?”.

Pyetje: Po me shkrimtarin I. Kadare?

Përgjigje: Mund të pohoj të njëjtën gjë. Nuk jam takuar prej
vitesh, por kam ruajtur simpatinë time nga larg, jo vetëm për
këtë episod, por në përgjigjësi për figurën e Kadaresë si
shkrimtar, si personalitet, si misionar i mendimit shqiptar. Ai
shpëtoi një njeri nga dënimi, një njeri që e meritonte të
shpëtonte, por jo çdokush mund ta bënte. Me sa më kujtohet, ka
qenë edhe një ekspertizë e tretë, edhe kjo kundër mendimit për
ta liruar Maksin. Ndoshta pasi të bëhen publike këto të dhëna ky
njeri mund të gjendet. Unë kam provuar të gjej dosjen në
prokurorinë e Tiranës, por, sipas rregullores, atje dokumentet që
u takojnë çështjeve të pushuara ruhen vetëm për 15 vjet. Mirëpo
unë kam ruajtur një kopje të vendimit të mbylljes së akuzës dhe
në këtë akt kam kopjuar thuajse tërësisht tekstin e ekspertizës së
Kadaresë, sepse mbështetur mbi këtë ekspertizë u mor vendimi.
Këtë akt shpresoj ta gjej së afërmi dhe menjëherë do ta bëj të
njohur për publikun.

__________
1. Një intervistë me përmbajtje të përafërt av. Ferdinand Doja i dha
për këtë çështje edhe gazetës “Panorama”, datë 08.11.2004.

DOKUMENTI NR. 39:

“Ishte në një ankth të madh. A do të arrinte t’i
gjente dhe t’i dënonte siç duhej të gjitha
gabimet ideologjike brenda saj? I kishte lexuar
dhe stërlexuar teoritë mbi surrealizmin,
ekzistencializmin e gjithë rrymat e tjera, në të
cilat ky shkrimtar përflitej se notonte. Ai ishte i
detyruar gjente se cilës rrymë i përkiste secila
figurë dhe se cili duhej të ishte qendrimi më i
rreptë ideologjik“.

Kritiku B. B. kishte marrë në dorë veprën më të re të shkrimtarit
të përfolur I. K. Ishte në një ankth të madh1. A do të arrinte t’i
gjente dhe t’i dënonte siç duhej të gjitha gabimet ideologjike
brenda saj? I kishte lexuar dhe stërlexuar teoritë mbi
surrealizmin, ekzistencializmin e gjithë rrymat e tjera, në të cilat
ky shkrimtar përflitej se notonte, madje kishte nisur të shihte
ëndrra me trajta të pashquara, që shpreheshin në figura letrare,
ku ai ishte i detyruar të ndërhynte në çdo rast dhe të gjente se
cilës rrymë i përkiste secila figurë dhe se cili duhej të ishte
qendrimi më i rreptë ideologjik ndaj secilës prej tyre.
Zgjohej dhe çante ërresirën me fjalë të tilla që e tmerronin të
shoqen, që i rrinte shtrirë përbri. Kur e ndiente ashtu, ajo zgjohej
gati duke ulëritur dhe çohej shpejt që t’i fliste e të mos e linte
vetëm në atë jermi.
“Do të bëhem i madh, do të bëhem i madh! Do të ketë fund një
ditë ëndrra ime”, mendonte duke përkëdhelur veten. Por këto
fjalë nuk guxonte t’ia thoshte së shoqes, madje nuk kishte guxuar
as t’ia përmendte atë punën e ëndrrave. Babai i saj ishte kuadër i
lartë i komitetit ekzekutiv dhe ai dyshonte se, po t’ia tregonte, e
shoqja do të shkonte menjëherë t’i tregonte gjithçka. Gjithnjë
kishte dyshuar se, ndoshta, tek ajo ekzistonte një dëshirë për ta
hequr qafe dikur. Ajo nuk e kishte dashur ndonjëherë, këtë ai e
dinte mirë; martesa e tyre kishte ndodhur si pasojë e një
marrëveshjeje mes dy familjeve të tyre. Pikërisht nga kjo
mungesë dashurie ai kishte frikë, përfshirë frikën se ajo mund ta
spiunonte dhe kushedi se si do të shkonin punët më pas.
Ishte i lumtur që, lavdi zotit, nuk e kishte cenin që të fliste në
gjumë. Ia kishte thënë vetë e shoqja, por më shumë u besonte
fjalëve të miqve të vet në kohën kur ishte student e jetonte me ta
në konvikt. Të paktën kështu nuk e tradhtonte veten pa e ditur.
Ndërkohë që ai qendronte ndenjur mbi krevat, krejt i
papërqendruar dhe njëherësh e vetëkontrolluar, i mbuluar deri në
mes me kuvertën e rëndë që ia kishte sjellë i vjehrri pas një
udhëtimi jashtë shtetit, dhe, sikurisht, i ishte dorëzuar tërësisht
ankthit të vet, e shoqja si zakonisht ishte ngritur dhe kishte
ndezur dritën e abazhurit. Sido që me frikë, në mendje i vërtitej e
njëjta pyetje: A do të arrinte t’i gjente dhe t’i dënonte siç duhej të
gjitha gabimet ideologjike brenda veprës më të re të I. K.?
Përpara i qendronte e ardhmja dhe suksesi që do të kishte në çdo
drejtim: ndonjë specializim jashtë shtetit dhe - në një çast të tillë
përhumbej fare - sigurisht me shumë femra përqark, që do të
punonin me të. Do të kishte mundësinë të kompensonte dhe të
ftohtin që ndjente çdo herë që gjendej vetëm në praninë e
bashkëshortes. Iu kujtua urrejtja e përcjellë nga I. K. në faqet e
romanit “Dimri“ për punën e kritikut në shtetin socialist shqiptar.
“Ke për ta parë, o I. K., tha me vendosmëri nën zë, sikur t’i
kërcënohej një bishe që i kishte zënë rrugën! Do ma degjosh
emrin!“, tha me vete, ndërkohë që e shoqja, pasi e kishte parë
gjithsesi të qetë në fytyrë, mbylli sërish abazhurin dhe u shtri
mekanikisht pranë tij pa u ndjerë.

1. Gjendet në: http://www.forumishqiptar.com/member.
2. Nënshkruar: “Dita Konservatore“ (“nick-name“),
identifikuar si “anëtar që prej 17.04.2002“.
3. Postime: 2.033
4. Ndryshuar për herë të fundit nga Dita, 28.06.2004.

__________
1. Shkruar për të marrë pjesë në diskutimet virtuale të zhvilluara në
faqen multimediale të mbipërmendur, pas botimit në gazetën
“Korrieri“ të një cikli me dokumente që gjenden edhe në këtë libër.

DOKUMENTI NR. 34:

Në vend të mbylljes
Gabime të rënda ideologjike. (Fillim novele). Që në qytetin e
vogël N. kishin ndodhur gabime të rënda ideologjike, kjo ndihej
menjëherë edhe sikur të mos kishe dëgjuar asgjë për to. S’ishte
nevoja të zbrisje nga autobusi interurban, as të hyje në kafenenë
e vetme, ku ndjenja e fajit spikaste menjëherë në mënyrën si
kamerieri të thoshte se makina e ekspresit nuk punon. Ajo ndihej
qysh më parë, te stacioni i autobusëve interurbanë, ku sipër
barakës së biletarisë me germa të mëdha të kuqe qenë shkruar
fjalët: “Të forcojmë luftën e klasave“. Por, po të ishe i
vëmendshëm, s’kishte pse të të bënte përshtypje as kjo parullë,
sepse shumë kohë më parë, ndanë udhës automobilistike, ti
kishe vënë re ndërkaq parulla të ngjashme te stacionet e
benzinës. Një e tillë, “sa më e fortë të jetë diktatura e
proletariatit, aq më e madhe është demokracia e masave“, ishte
vetëm disa metra larg tabelës rrugore ku qe shkruar: “N. Kufizim
shpejtësie!“. Më tutje ishte një tjetër: “Ne do të hamë edhe bar
po të jetë nevoja, por parimet e marksizëm-leninizmit nuk i
shkelim. Enver Hoxha. ”Gabime të rënda ideologjike“ tha ai me
vete. Ai e përsëriti frazën, por këtë herë, kushedi pse, ndoshta
për shkak të zhurmës së zhavorrit, në frëngjisht: “Graves
erreures ideologiques”.

1. I. Kadare, “Ftesë në studio”, f. 162-163, Tiranë, verë 1990.

ISMAIL KADARE, PORTRET

Shkrimtar, poet, publicist, eseist. Personalitet qendror i kulturës
kombëtare në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Protagonist i
zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj
periudhe. Me emrin e tij identifikohet prurja e re në letërsi e
“brezit të viteve 1960“, që e udhëhoqi kulturën kombëtare drejt
një kthese dhe emancipimi të përgjithshëm.
Lindi në Gjirokastër më 1936. Në vendlindje kreu studimet e
mesme. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin
e Tiranës në vitin 1956. Studioi për disa vite në Institutin “Gorki”
në Moskë, por u detyrua t’i ndërpresë studimet për shkak të
konfliktit ideologjik dhe të “luftës së ftohtë“ që pasoi
marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në fillimin e viteve 1960.
Ndërsa kryente studimet në “Gorki“ botoi në rusisht vëllimin
poetik me titullin “Lirika“, në parathënien e të cilit botuesi
paralajmëron se autori rrezikohet prej ndikimit të poezisë
dekadente perëndimore.
Fillimet letrare të Ismail Kadaresë janë kryesisht në poezi
(“Frymëzime djaloshare“ - 1954; “Endërrimet“ - 1957; “Ëndërr
industriale“ - 1960; “Shekulli im“ - 1961; “Lirika“ - Moskë 1961;
“Poemë e blinduar“ - 1962; “Përse mendohen këto male“ - 1964;
“Shqiponjat fluturojnë lart“ - 1966; “Motive me diell“ - 1968;
“Koha“ - 1976). Vazhdoi të shkruajë poezi edhe më vonë, me
konsolidimin e mjeshtërisë në prozë, kur kjo u bë krijimtari
përparësore e tij.
Ismail Kadare dhe shkrimtarë të tjerë të “brezit të viteve 1960“ u
ndanë prej “të vjetërve“ duke ndryshuar rrënjësisht vjershërimin
tradicional, në shqetësime, në problematikë dhe në teknikën e të
shkruarit. Poezia e Ismail Kadaresë u mbështet në vlerat më të
arrira të vjershërimit në varg të lirë (De Rada, Migjeni). Me këtë
poezi ndryshoi paradigma e trashëguar e tematikës dhe mjeteve
të shprehjes të letërsisë. Ismail Kadare i dha vlerë poetike fjalorit
bashkëkohor të shqipes, leksikut teknik të periudhës industriale.
Poezia e tij dhe e disa autorëve të tjerë të atij brezi e ndau
vjershërimin shqip prej analitizmit dhe përshkrimit. Sintetizmi dhe
fuqia abstraguese e kësaj poezie shprehet në largimin prej
narracionit, subjektit apo ngjarjes. Ismail Kadare parapëlqeu
poezinë si një figurë e tërë, jo poezinë me figurshmëri të
brendshme kalimtare. Ismail Kadare shkroi poezinë e mendimit
dhe të ideve.
Ismail Kadare ia kushtoi poezinë e tij fatit historik të popullit
shqiptar. Ai trajtoi mbijetesën e popullit në sfidat e mëdha të
historisë. Shkroi poezi kryesisht epiko-lirike. Në poezi autori mban
një qendrim hyjnizues ndaj historisë kombëtare. Ajo
karakterizohet nga miti i së shkuarës dhe i lavdisë së të parëve,
nga miti i origjinës. Kjo është poezia e ekzistencës së bashkësisë
nëpër kohëra. Ismail Kadare synon që poezia e tij t’i çlirojë
shqiptarët prej kompleksve dhe psikozave etnike. Me poezinë e
Ismail Kadaresë hyn në historinë e letërsisë së re “tema e
madhe“, tema e qendresës historike dhe e fuqisë së identitetit
kulturor-etnik kombëtar. Ai synon monumentalizimin e historisë,
duke e vështruar të shkuarën jo vetëm si histori lufte, por si
histori gjuhe, kulture dhe qytetërimi; si dhe duke nxitur tek
bashkëkohësit mendimin se vlerat shqiptare vijnë nga thellësi të
largëta të historisë dhe nuk janë një privilegj i përveçëm i kohës
moderne. Në poezinë e tij “shqiptari i vjetër“ është heroi që
heshturazi i del përballë si një model i harruar “njeriut të ri“.
Poezia e Ismail Kadaresë, ndryshe nga proza e tij, herë-herë
paraqitet më e angazhuar politikisht (“Shqiponjat fluturojnë lart“ -
1966) dhe si rregull ka frymë hyjniyuese për etnotipin shqiptar.
Kjo mund të jetë arsyeja që, me ndonjë përjashtim (“Në mesditë
Byroja Politike u mblodh“, 1975) krijimtarinë e Kadaresë në poezi
nuk e ka ndjekur mbikëqyrja kritike politike e kohës.
Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është
romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ (1963). Prej fillimeve deri
në periudhën e pjekurisë, në prozën e tij raporti themelor është
gjithnjë vetja dhe tjetri, identiteti i shqiptarëve dhe qendrimi i
tyre ndaj të ndryshmit: armikut, pushtuesit, kundërshtarit, fqinjit.
Këto raporte shkrimtari i ndjek si janë në histori dhe i pasqyron
me vërtetësi, duke dashur të përveçojë traditën e “të vetëve“
dhe duke kërkuar që përmes këtij përveçimi të ndikojë në klimën
letrare të kohës, në shijet e lexuesve dhe në historinë e mendimit
shoqëror bashkëkohor.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ është romani i parë në letërsinë e
re të Shqipërisë, në të cilën lufta antifashiste u trajtua si objekt i
tërthortë, me një largësi kohore dhe emocionale. Ndryshe prej
letërsisë së mëparshme kushtuar kësaj teme, në këtë roman nuk
ka komisarë dhe komandantë që luftojnë si heronj. Heroizmi
është i heshtur dhe i pabujshëm. Figura e “armikut” gjithashtu
ndryshon prej letërsisë tradicionale. Për botimin e parë kritika
është shprehur se figura e gjeneralit paraqitet si figura e një
misionari të një shërbimi njerëzor universal. Në këtë roman dhe
në një varg veprash të tjera të Ismail Kadaresë vendin qendror e
zë raporti midis jetës dhe vdekjes, si shqetësim i përjetshëm i
letërsisë. Varri dhe hija (sozia, fantazma) janë fjalë çelësa për të
lexuar një pjesë të madhe të kësaj letërsie: “Prilli i thyer”,
“Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “E krehura”, “Vit i
mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”. Vlerat e jetës dhe
çmimi i vdekjes, varrimi dhe zhvarrimi, muranat dhe varret
monumentalë-piramidalë, ringjallja dhe rivdekja (rivrasja) janë
nocione themelore artistike në prozën e Ismail Kadaresë. Vdekja
shfaqet në këtë vepër në format më të pangjashme: natyrore dhe
heroike, vetjake dhe e gjithë bashkësisë, e vërtetë dhe e sajuar,
nga fati dhe nga hakmarrja, nga lufta dhe gjyqi, nga sëmundja
dhe mplakja, si ndëshkim dhe si shpagim për jetën e tjetrit.
Novela “Kush e solli Doruntinën” (1979), për të cilën u zhvillua
një diskutim i gjatë në shtypin letrar të kohës, preku paradigmën
e mendimit, duke u kujtuar bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen,
atë vlerë që gjendej në baladat e hershme dhe që mbante
shenjën e humanizmit të Rilindjes Europiane; atë vlerë që
krishtërimi ia kishte njohur përjashtimisht Mesisë.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ ka luajtur një rol vendimtar në
fatin e letërsisë së Ismail Kadaresë. Botimi në Francë (1971) i
romanit ndryshoi horizontin e pritjes jo vetëm artit të tij, por edhe
pjesës më të talentuar të letërsisë shqipe të kohës. Për herë të
parë pas shumë shekujsh, qysh prej “Historisë së Skënderbeut”
të M. Barletit, letërsia shqipe fillon të rifitojë përmasën e vet të
merituar ndërkombëtare.
“Përbindëshi” (1965), romani i dytë i Ismail Kadaresë, u botua në
revistën letrare “Nëntori” dhe menjëherë u ndalua, për shkak të
gjendjes së ankthit që kishte në përmbajtje, të shthurjes
kompozicionale “nën ndikimin e letërsisë dekadente”, sidomos të
përdorimit subjektiv të përmasës së kohës. Romani arriti të
botohej vetëm pas afro një çerek shekulli, në fundin e viteve
1980.
Me romanin “Dasma” (1968) Ismail Kadare provoi të trajtojë një
temë bashkëkohore, por pa ndonjë sukses. Romani u shkrua në
kushtet kur “Brezi ‘68“ në Perëndim po ndryshonte bazat e
moralit të politikës moderne, kurse në Shqipëri kishin filluar
“lëvizjet e mëdha revolucionare”. Romani u qortua për denigrim
të figurës së gruas dhe për fyerje të aspiratave të rinisë. Sido që
e ekranizuar dhe e përkthyer në disa gjuhë të huaja, mbetet një
vepër dytësore e Ismail Kadaresë dhe e prozës shqipe.
“Kronikë në gur“ është romani i dytë i Ismail Kadaresë që trajton
temën e luftës antifashiste, duke iu shmangur pranimit të saj si
objekt të drejtpërdrejtë. Lufta me sytë e një fëmije i jep mundësi
autorit ta shohë atë të çtendosur, me një vështrim nga poshtë.
Në vepër nuk ka rreshtime kundërshtuese luftarake dhe as frymë
heroike manifestative. Eshtë një roman ku lufta shihet gati-gati si
një lojë; ku komunistët dhe ballistët shfaqen si në role, si në një
teatër. Romani është qortuar nga kritika e kohës për ndikime të
surrealizmit dhe të psikanalizës.
Romani “Kështjella“ fitoi çmimin e parë në konkursin letrar për
500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe u botua dy vjet më
vonë (1971). Në studimet letrare është quajtur “roman historik”.
Në thelb, “Kështjella“ është romani i heroit të papranishëm.
Ndonëse gjithë vepra i kushtohet qendresës shqiptare në fillimet
e pushtimit osman, figura e kryeheroit, Gjergj Kastriotit,
asnjëherë nuk shfaqet drejtpërsëdrejti. Autori arrin të ngrejë në
këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit apo të
personalitetit. Romanet me temë nga historia të Ismail Kadaresë
gjithnjë të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen.
Historia përthirret në romanet e tij si një pretekst.
Që prej botimit të kësaj vepre në prozën e Ismail Kadaresë
mbetet një dilemë thelbësore filozofike ajo e zgjedhjes midis urës
dhe kështjellës, midis qendresës dhe paqes, midis mbylljes dhe
hapjes. Ura dhe kështjella janë dy fjalë të tjera çelësa për të
mundësuar kuptimin e veprës së Ismail Kadaresë. Nocioni i
kështjellës është i pranishëm tek “Prilli i thyer“ (kulla e ngujimit);
tek “Krushqit janë të ngrirë“, tek “Ndërtimi i piramidës së
Keopsit“, tek “Piramida“. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet
tek “Ura me tri harqe“, “Kushëriri i engjëjve“. Autori nuk e ka të
lehtë ta zgjidhë këtë dilemë, e cila është e lidhur me fatin
qenësor të shqiptarëve. Ai ekzaltohet nga ura, nga hapja dhe
komunikimi, nga miqësitë e largëta të bujarisë së hershme nëpër
Europë, por po aq stepet prej dhimbjeve që u ka sjellë
shqiptarëve “fati i urës“. Në thelb, dilema “një urë apo një
kështjellë“ përmban pyetjen thelbësore të epokës kur Ismail
Kadare i shkroi këto vepra.
Me romanin “Dimri i vetmisë së madhe” (1973) Ismail Kadare
filloi botimin e një trilogjie, në përbërje të së cilës do të ishin tri
përballjet e mëdha shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të
20-të: me politikën nënshtruese të Beogradit (1948), me
arrogancën sovjetike (1961) dhe me mospajtimet ideologjike
kineze (1978). Romani u kritikua për frymë deheroizuese, për
ndikim të dekadencës perëndimore dhe mungesë perspektive. U
botua i ripunuar në vitin 1977, për të hapur rrugën e romanit
tjetër “Koncert në fund të dimrit“, i cili, pasi fitoi çmimin e parë
në një konkurs kombëtar në vitin 1981, nuk u lejua të botohej për
disa vite me radhë, duke u konsideruar një vepër që përmban
aluzione të hapura kundër sistemit komunist. “Dimri i madh“
është quajtur “një roman me iso”, kurse “Koncert në fund të
dimrit“, që është vazhdim i tij, - “një roman polifonik“. U botua në
vitin 1988. Pjesa e tretë e trilogjisë, e cila nga pikëpamja e rendit
kohor duhej të ishte e para, nuk u botua. Në këto romane autori
çmon dinjitetin e Shqipërisë në ndarjen e saj prej ish-kampit
lindor. Romanet janë pasqyrime letrare të dy prej nyjeve më të
rëndësishme të historisë së “luftës së ftohtë“, ku Shqipëria është
subjekt parësor. Sipas kritikës ruse, Ismail Kadaresë “e ka
metropolizuar“ Shqipërinë përballë sovjetikëve, duke e
modernizuar atë si një shtet perëndimor.
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më
problematike dhe më mospajtuese me realizimin socialist të
Ismail Kadaresë. Thelbi i romanit është alegoria politike anti-
totalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të
ish-perandorisë osmane. Romani u kritikua si vepër që dëmtonte
socializmin dhe seria e veprës së plotë në 12 vëllime e autorit u
botua pa vëllimin e 11-të, ku duhej të gjendej kjo vepër. Në
prozën e Ismail Kadaresë si rregull nuk respektohen parimet dhe
kërkesat e realizmit socialist. Nuk ka heronj pozitivë dhe
optimizëm revolucionar, nuk ka përparësi ndaj temave të ditës.
Përmes romaneve me pikënisje nga motivet e prozës popullore,
kryesisht të baladave (“Ura me tri harqe”, “Kush e solli
Doruntinën“, “Dosja H“, “Emblema e dikurshme“), Ismail Kadare
ringjalli në botën shqiptare një “Shqipëri tjetër“, në të cilën ka
elitë dhe aristokraci, ka kontë e princër, që çojnë e marrin kumte
me Europën. Braktisja e temave aktuale paraqitet jo vetëm si një
refuzim estetik, por në funksion të krijimit të imazhit të një
Shqipërie europiane në të shkuarën. Në këtë cikël veprash fjalë-
çelësa për lehtësimin e të kuptuarit të tyre janë miti dhe realiteti.
Ismail Kadare shkroi me sukses novelën (“Viti i mbrapshtë”,
“Nata me hënë”, “Bija e Agamemnonit”) dhe esenë
(“Autobiografia e popullit në vargje“, “Eskili, ky humbës i madh“,
“Kushëriri i engjëjve“).
Pas viteve 1990 ligjërimi i I. Kadaresë zhvillohet në një përmasë
shumë të lartë. Krijimtaria e tij bëhet shprehja më e fuqishme e
vlerave gjuhësore dhe letrare të shqipes së njësuar. Letërsia e
Kadaresë pas viteve 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj
të mëparshme: frymën etnografike, shpërfaqjen e identitetit
shqiptar, duke përfshirë komplekset etnike.
Ismail Kadare është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë
prej vitit 1970 deri në vitin 1990. Eshtë anëtar i Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave
Morale të Francës. Rregullisht i nominuar si kandidat për çmimin
Nobel dhe disa herë i përzgjedhur në pretendentët e
drejtpërdrejtë.
Në vjeshtë të vitit 1990 Ismail Kadare vendosi të lërë Shqipërinë
dhe të qendrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë
largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike“. Autoritetet e
kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij
nuk u ndalua.
Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 40
gjuhë të huaja, në gjithë botën. Ai është shkrimtari shqiptar më i
njohur në botë.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrarë kombëtarë
dhe ndërkombëtarë.
Mban titullin “Nderi i kombit” (Shqipëri), “Kryqin e Kalorësit të
Nderit” (Francë), si dhe tituj e dekorata të tjera.

RRETH LIGJSHMËRISË SË BOTIMIT TË LIBRIT “DOSJA K”1

Duke pasur në vëmendje polemikat e zhvilluara gjatë ditëve të
fundme në lidhje me botimin e dokumenteve që kanë të bëjnë
me vlerësimin e letërsisë deri në vitet 1990, në radhë të parë me
vlerësimet rreth disa veprave të shkrimtarit Ismail Kadare, Ju
njoftojmë se në Ligjin 9154 datë 06.11.2003 “Për arkivat”
parashikohen vetëm këto tri kufizime ligjore:
1. Kufizimi për efekt të karakterit sekret të dokumenteve
(neni 62);
2. Kufizimi për mbrojtjen e jetës intime të qytetarit (neni
63);
3. Kufizimi prej 25 vjet për efekt maturimi të dokumenteve
(neni 61, pika 2).
Asnjë prej këtyre kufizimeve nuk është veprues në rastin në fjalë.
Dokumentet janë të paklasifikuara, janë maturuar në masën
ligjore dhe nuk kanë të bëjnë me jetën intime të qytetarit
(familja, sëmundshmëria etj.), pra, janë akte administrative të
krijuara në emër të detyrës.
Gjithashtu do të donim të shtonim se disa keqkuptime janë krijuar
nga ngatërrimi i këtyre dokumenteve me dosjet hetimore dhe
gjyqësore. Sikurse kemi bërë të ditur publikisht, në Drejtorinë e
Përgjithshme të Arkivave nuk ruhet asnjë dosje me karakter
hetimor dhe gjyqësor. Këto dosje ruhen në arkivat e sistemit, që
funksionojnë pranë institucioneve përkatëse. Për informim
shtojmë se efekti formal i ligjit për verifikimin e pastërtisë së
figurës së veprimtarëve politikë, mbi bazën e të cilit u krijuan dy
herë radhazi “komisionet e pastërtisë“, të cilët kishin të drejtën e
këshillimit të dosjeve të sipërpërmendura, në arkivat ku
gjendeshin, është shfuqizuar.
Lidhur me bazën ligjore, Ju njoftojmë gjithashtu se neni 67, pika
2/a i Ligjit 9154 datë 06.11.2003 “Për arkivat” parashikon edhe të
drejtën e përjashtimit nga afati normativ i maturimit prej 25
vjetësh, si dhe autoritetet që e gëzojnë këtë të drejtë, ndër të
cilët është Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave2. Këto standarde
ligjore kanë qenë edhe në ligjin e mëparshëm për arkivat, nr.
7726, datë 29.06.1993. Ato janë të njësuara me Vendimin
Këshillimor nr. 13 (2000) të Këshillit të Europës “Për një politikë
aksesi të përbashkët”3.
Jemi të gatshëm të informojmë më hollësisht nëse Ju është e
nevojshme.

1. Shkresë shpjeguese drejtuar Zëvendëskryeministrit, nr. 1339,
datë 14.06.2004.
2. Mund të lindte e nevojshme që ky nen të zbatohej pjesërisht
vetëm për disa prej recensioneve që i takojnë romanit
“Gjakftohtësia”. Në fakt, ky roman u botua pjesërisht 1979, në
përbërje të një vëllimi me të njëjtin emër. Në vitin 1981, në
konkursin kombëtar të letërsisë, ky roman fitoi çmimin e parë.
Recensionet e para për këtë vepër i takojnë, pra, kësaj periudhe.
Këto recensione janë botuar fillimisht nga e përjavshmja “Zëri” e
Prishtinës dhe në këtë libër përfshihen sipas variantit të botuar nga
kjo revistë. Gjithashtu u zbatua ky parashikim i ligjit në botim do të
mungonte një stacion i rëndësishëm.
3. Në lidhje me standardet europiane për raste të ngjashme shih
edhe: Claude Durand, president i “Editions Fayard”, intervistë dhënë
“Shekulli-t”, 27.05.2004: “Ne sapo kemi botuar veprën “Pashallarët
e kuq - hetim për një krim letrar” të zotit Maks Velo. Kjo vepër dhe
qëllimi që ajo shpreh për hapjen e arkivave, janë shumë të
rëndësishme. Situata në Shqipëri më kujton vitin 1968, kur botova
një dosje për vështirësitë që kishte hequr Aleksandër Solzhenicin në
lidhjen e shkrimtarëve në Rusi. Eshtë e njëjta përçapje. Arkivat
duhen hapur, me qëllim që e keqja të mos përsëritet më. Nuk bëhet
fjalë as për hakmarrje … me gjithë gabimet që kanë bërë disa, mes
tyre edhe akte kriminale. Duhet që e vërteta të thuhet dhe historia
të njihet. Besoj se nuk ka demokraci të fortë nëse historia
falsifikohet. Kjo është një detyrë ndaj së ardhmes së fëmijëve dhe
brezave që do të vijnë. Të fshish historinë do të thotë që ndoshta
edhe ata një ditë të bien në të njëjtat gabime”.
NGA I NJËJTI AUTOR PËR SHKRIMTARIN ISMAIL KADARE1:

I. Artikuj dhe studime të botuar në shtyp:
1. Sinani, Sh.: “Piramidë kokëposhtë ose përmbysja e parë”, në
revista “Sot”, nr. 1/1991, f. 40-42.
2. Sinani, Sh.: “Ekzorcimi i urrejtjes”, në revista “Sot”, nr. 1/1991,
f. 43-45.
3. Sinani, Sh.: “Kreshnikë dhe kalorës”, në revista “Sot”, nr.
1/1991, f. 45-47.
4. Sinani, Sh.: “Mërgimi i parë”, në revista “Sot”, nr. 1/1991, f. 47-
50.
5. Sinani, Sh.: “Mall - pa nëntitull”, në revista “Sot”, nr. 1/1991, f.
50-51.
6. Sinani, Sh.: “Fate nëpër kohëra”, në revista “Sot”, nr. 2/1991, f.
35-37.
7. Sinani, Sh.: “Përsëri përballë fatalitetit”, në revista “Sot”, nr.
2/1991, f. 37-40.
8. Sinani, Sh.: “Nomenklaturë … deri në varr”, në revista “Sot”,
nr. 2/1991. f. 40-42.
9. Sinani, Sh.: “Pavarësia e individit”, në revista “Sot”, nr. 2/1991,
f. 43-50.
10. Sinani, Sh.: “Gjuha, mëmëdheu mbesin”, në revista “Sot”, nr.
2/1991, f. 51-53.
11. Sinani, Sh.: “Kadare: gjykime dhe paragjykime”, në revista
“Sot”, nr. 2/1991, 35-54.
12. Sinani, Sh.: “Uragani i ndërprerë”, në revista “Sot”, nr.
3/1991, f. 52-54.
13. Sinani, Sh.: “Individi dhe individualiteti”, në revista “Sot”, nr.
3/1991, f. 54-58.
14. Sinani, Sh.: “Mallkimi i fisit dhe mallkimi i klasës”, në revista
“Sot”, nr. 3/1991, f. 58-61.
15. Sinani, Sh.: “Nëpunësi i shtabit të qorroficeve”, në revista
“Sot”, nr. 3/1991, f. 61-53.
16. Sinani, Sh.: “Kadare: gjykime dhe paragjykime”, në revista
“Sot”, nr. 5-6/1991, f. 41-50.
17. Sinani, Sh.: “Midis jetës dhe vdekjes“, në “Java“, datë
8.11.1994, f. 3. Ribotuar me të njëjtin titull edhe në ”Shekulli
XXI”, dhjetor 1994, f. 2-3.
18. Sinani, Sh.: “Doktrina e tradhtisë - rreziku më i madh i moralit
kombëtar“, në “Zëri i Kosovës“, datë 23.05.1995. Ribotuar edhe
në gazeta “Java“, qershor 1996, f. 8-9.
19. Sinani, Sh.: “Kadare - një emblemë e kulturës shqiptare“ (me
rastin e 60-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë), në “Zëri i
Kosovës“, datë 1.02.1996, f. 13.
20. Sinani, Sh.: “Humbja e referencave morale çon drejt
shthurjes“, në “Zëri i Kosovës“, datë 16.05.1996, f. 7. Ribotuar
edhe në gazeta ”Java”, qershor 1996, f. 8-9.
21. Sinani, Sh.: ”Kështjellë e qendresës apo e izolimit”, në ”Zëri i
Kosovës”, datë 19.9.1996, f. 9.
22. Sinani, Sh.: ”Nga ringjallja biblike te ringjallja laike” - për
romanin “Kush e solli Doruntinën“, në ”Dita informacion”, datë
22.09.1996, f. 14. Ribotuar edhe në ”Zëri i Kosovës”, datë
28.10.1996, f. 12.
23. Sinani, Sh.: ”Who is Who: I. Kadare”, në “Extra”, tetor 1996, f.
5.
24. Sinani, Sh.: ”Shqipëria tjetër” - rreth romanit “Ura me tri
harqe”, në ”Dita informacion”, datë 17.11.1996, f. 14.
25. Sinani, Sh.: ”Lavdia në përmendoren e turpit” - rreth romanit
“Pashallëqet e mëdha”, në ”Dita informacion”, datë 22.11.1996,
f. 14.
26. Sinani, Sh.: ”Metafora e gatshme e absurdit” - për romanin
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, në ”Dita informacion”, datë
24.11.1996, f. 14.
27. Sinani, Sh.: ”Me programin Kadare ne lexuam Perëndimin”, në
”Java”, janar 1996, f. 10.
28. Sinani, Sh.: ”Një vit tjetër i mbrapshtë, në 85-vjetorin e
themelimit të shtetit shqiptar”, në ”Republika” (revistë), datë
28.04.1997, f. 13.
29. Sinani, Sh.: ”Ja poezia e humbur e Kadaresë“ - si u gjet pas 27
vjetësh në raftet e arkivit; teksti i plotë i veprës që u deklarua e
humbur; në “Gazeta shqiptare”, datë 15.03.2002, f. 2-4.
30. Sinani, Sh.: ”Estetika e groteskut“, kuartet në veprën e Uçit” -
Kadare në fokusin e studiuesve, në ”Ballkan”, datë 11.05.2002, f.
21.
31. Sinani, Sh.: “Lexim ndryshe“, në librin “Sipërore”, Tiranë
1998, f. 145-159.
32. Sinani, Sh.: “Ismail Kadare - ambasador i kulturës shqiptare”,
në “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, Tiranë 2001, f. 160-187,
ribotuar edhe në Shkup e Prishtinë.
33. Sinani, Sh.: “Sytë e Simonidës - si i çliron autori shqiptarët
nga një faj i paqenë“, studim krahasimtar, në “Kështjella e
virtytit“, Tiranë 2001, f. 234-246.
34. Sinani, Sh.: “Si u gjet poezia “Në mesditë Byroja Politike u
mblodh“, në “Arkiva të hapur në shoqëri të hapur“, Tiranë 2002,
f. 187-190.
35. Sinani, Sh.: “Copyright në vend të right of copy”, në “Arkiva
të hapur në shoqëri të hapur“, Tiranë 2002, f. 190-192.
36. Sinani, Sh.: “Ismail Kadare dhe raportet e tij me pushtetet në
Shqipëri”, botuar me vijime në “Zëri”, Prishtinë, 29 nëntor - 8
dhjetor 2004.

II. Vepra të plota monografike:

1. Sinani, Sh.: “Pengu i moskuptimit”, Tiranë 1997, 232 f.

1. Nuk janë përfshirë në këtë bibliografi artikujt dhe intervistat që
përfshihen në këtë libër, të cilat pjesërisht janë ribotuar edhe në
shtypin e Kosovës dhe të Maqedonisë, si dhe komente dhe trajtesa
për shtypin në raste të ndryshme.