You are on page 1of 6

Rindërtimi shpirtëror i shqiptarëve

Ndue Ukaj
1.
Kombi shqiptar tanimë jeton i lirë. Ai ka sendërtuar një pjesë
të objektivave politikë, mirëpo është thellësisht i zhytur në një
krizë të brendshme, krizë kjo që për shënjues ka degradimin e
vlerave, apo një krizë vlerash që përcillet në gjitha aspektet e
jetës kombëtare. Kjo krizë ka prekur gjitha segmentet e
rëndësishme kombëtare dhe për pasojë ka krijuar një gjendje
të rënd, në të cilën ndjehet ankthshëm nevoja e rindërtimit
shpirtëror të kombit shqiptar. Tronditjet e shumta që kemi
përjetuar këto dy dekada të fundit si komb na kanë sjell para
një gjendje faktike, në të cilën mungojnë dilemat morale dhe
përsiatjet intelektuale për fenomenet që përjetojmë.
2.
Shoqëria shqiptare nëpër shekuj e dekada ka përjetuar vetëm
tmerre, mungesa të shumta e mbi të gjitha mungesë lirie. Ajo,
në asnjë fazë nuk ka përjetuar lirinë e mirëfilltë, si premisë
esenciale për formësime normale e të shëndosha. Mbase, ajo
duke u rritur e formësuar në rrethana të jashtëzakonshme, të
çrregullta, jo normale, tanimë kur gjendet para një etape të re,
ka brenda vetës kriza e probleme të shumëfishta, të cilat e
pengojnë për t’u adaptuar dhe këndej pari pranuar normat dhe
vlerat demokratike e standardet e pranuara si të mirëqena
ndërkombëtarisht. Ajo nuk ka përjetuar lirinë, ajo nuk është
formësuar në liri, përkundrazi, ajo është formësuar nën diktat e
dhunë, nën reprezalje e mungesë lirie. Mungesa e lirisë, si
komponentë themelore për edukim e formësim normal të një
shoqërie/kombi, ka bërë që shoqëria shqiptare e kudo ndodhur
gjeografikisht, të ketë mungesa të shumta, të cilat vërehen në
shumë pore të jetës. Dhe një ndër esencialet është mosaftësia
për të ndërtuar sistem stabil të vlerave.
3.
Ka pas një besim të tepruar se kapitulli i vuajtjeve dhe
klithmave shqiptare do të merr fund në këtë mileniumin e ri,
në të cilin shqiptarët në tërësi kanë hyrë me ndryshme
pozitive. Zaten, përkundër ndryshimeve të dukshme, gjendja
reale në hapësirat shqiptare është e rënd, me halle të
shumëfishta dhe shpresa të pakta. Kosova akoma vazhdon të
përpëlitet në rrugën e saj drejt konsolidimit si shtet, me një
mal problemesh përpara dhe me mundësi të pakta. Pjesët tjera
shqiptare, përkundër ndryshimeve pozitive, ndodhen në pozita
aspak të dëshiruara. Ndërkohë që Shqipëria, vendi amë, po
shënjon me një përkushtim të thellë, përpjekjet e fundit për të
përfunduar kapitullin e dhimbshëm të tranzicionit afro dy
dekadash, por, prapëseprapë gjendet para sfidave të
shumëfishta. Ajo vazhdon të vuaj pasojat e së shkuarës
moniste dhe endet mes kësaj së shkuare dhe të ardhmes, pa
mundur të përmbyll lehtësisht kapitullin e stërzgjatur dhe të
dhimbshëm të tranzicionit politikë, ekonomik e kulturor.
4.
Po të analizojmë përgjithësisht pozicionin e kombit shqiptar
sot, mund të konstatojmë se para tij ende gjenden sfida të
rënda. Dhe nga kuptimi e tejkalimi racional i këtyre sfidave,
varet shumë e tashmja, mbi të gjitha e ardhmja. Përkundër
faktit se kombi shqiptar përjeton një liri të përgjithshme,
shqiptarët kanë një të tashme të paqartë, të zymtë, të rënd,
madje për shumicën, të pashpresë. Së këndejmi, sot, shtrohen
shumë pyetje e kërkohen shumë përgjigje të mençura, të cilat
do të ndihmonin për të tejkaluar këtë gjendje dhe për të
transformuar atë drejt një të ardhme më të ndritur e më
prosperuese. Ka një pajtueshmëri të plotë në debatet e shumta
mediatike e intelektuale se e tashmja është e zymtë, përkundër
zhvillimeve të prekshme pozitive. Mirëpo, gjithashtu ekziston
një shpresë dhe bindje se e ardhmja është në anën e kombit
shqiptar. Prandaj është koha dhe momenti që këtë rast duhet
fituar. Dhe ky rast fitohet vetëm duke vënë në funksion vlerat
e shëndosha dhe duke etabluar një sistem vlerash të
dëshmuara. Andaj që të tejkalohet kjo, mbi të gjitha që të
mund të evidencohen pengesat e së tashmes, duhet identifikuar
gjitha plagët dhe pastaj ato duhet ekzaminuar, analizuar thuktë
për të krijuar mundësi që këto sfida të tejkalohen. Kjo
domethënë se duhet të prekim pikërisht plagën a plagët
kryesore që ka sot shoqëria jonë, e të cilat kanë qenë dhe janë
pengesa për të ecur më shpejt përpara. Në traditën e shkrimit
shqip ka pasur shumë dijetar të periudhave të ndryshme që
kanë identifikuar një korpus plagësh kombëtare, që shpeshherë
janë konceptuar tek politika, ndarjet, feja, historia, etj. Gjitha
këto kanë prodhuar një gjendje kaotike, në të cilën ka munguar
dhe mungon një sistem i kategorizuar i vlerave dhe një vullnet
për të punuar tok në rrugët e konsolidimit dhe sforcimit të
substancës së kombit. Politikës shqiptare gjithmonë i kanë
munguar vlerat e mirëfillta dhe njerëzit e duhur për të punuar
në drejtim të mirave të përbashkëta. Pikërisht kjo ka bërë që
politika shqiptare kudo, të jetë më e përçarë se normalisht,
asnjëherë mos të ketë aftësi të përbashkohet si një trup i
përbashkët në sendërtimin e objektivave kombëtare. Për të
ndodhur në ndonjë moment unifikim, kjo zakonisht është
dashur të bëhet me një trysni ndërkombëtare. Dhe pikërisht ky
sindrom ka prodhuar aq shumë ndarje mes shqiptarëve, saqë
sot është e vështirë të bisedohet për një politikë të mirëfilltë
demokratike shqiptare dhe shtetëndërtuese. Po në këtë sens,
kuptohen edhe klithmat e shumë dijetarëve shqiptar ndër
shekuj që bënin apel për unitet, në jetësimin dhe promovimin e
idealeve dhe vlerave të përbashkëta. Në këtë kontekst, Atë
Anton Harapi thoshte se një komb i përçarë është i humbur. E
gjitha kjo krizë ka një emërues, krizën morale. Charles de
Montesquieu shkruante se: ”Një shtet më shumë
shkatërrohet nga humbja e moralit të qytetarëve se sa nga
shkatërrimi ekonomik”. Është moment që të kuptohet drejt kjo
referencë dhe të funksionalizohet brenda intiligjencisë
shqiptare, që kjo e fundit të mos jetë soditëse, por kreative.
5.
Një tjetër problematik e theksuar e jetës shqiptare është çështja
e mosgatishmërisë për të ndarë të mirën nga e keqja, vlerën
nga antivlera. Këto dy probleme thelbore kanë prodhuar
politikë oportuniste, egoizëm banal dhe korrupsion legal në
gjitha instancat kombëtare. Kësisoj është penguar gjykimi
kritikë dhe vlerësimet reale. Dhe për pasojë ka dominuar dhe
dominon një opurtunizëm e paparë. Kjo traditë shkatërrimtare
asnjëherë nuk ka arrit të shndërrohet në kulturë të
bashkëpunimit. Kësisoj, prodhimi i së mirës dhe përcaktimi i
së vërtetës, ka munguar dhe po mungon çdo herë tek ne.
Ndërkaq në tranzicionin shqiptar, këto dukuri sabotuese kanë
ngritur kokë edhe më shumë. Së këndejmi brenda jetës
shqiptar është legjitimuar një formë primitive e të ushtruarit të
pushtetit, e kulturës, ekonomisë, etj. Dhe këndej pari tiparet
themelore të kësaj krize kanë legjitimuar një shpirt korruptues,
një prirje mburrvecërie e vëtëlavdrërimi ekstrem.
Përveç këtyre, një problem shumë kompleks shqiptar mbetet
mosaftësia për të ndërtuar një sistemi vlerash të mirëfillta. Kjo
mosaftësi a mosgatishmëri ka legjitimuar një politikë
mediokre, një elitë që nuk është e aftë dhe e gatshme të
ndërmarr iniciativa dhe të jep alternativa, me një fjalë një
intiligjenci oportuniste dhe soditëse. Kjo formë ka instaluar
një politikë oportuniste, shërbyese, që bënë jetë nën trysnitë e
ndryshme që i vijnë nga faktor të jashtëm e të brendshëm. Kjo
për faktin se sistemi demokratik është ndërtuar dhe po
ndërtohet mbi interesa parciale, sikundër janë lidhjet klanore,
fisnore, fetare, politike. Ne vuajmë pasojat e një mungese të
sistemit të konsoliduar e hierarkizëm vlerash. Prandaj sot kemi
një çiherarkizim të tmerrshëm vlerash. Në mungesë të kësaj,
kemi antipodin e vlerave, pseudovlerat, të cilat kanë ngulfat
jetën tonë në çdo aspekt.
Brenda kombit shqiptar kemi një përmbysje vlerash dhe
kultura, ky domen shumë i rëndësishëm nacional është
degraduar si është më keq. Kultura është shndërruar në një
konglomerat të pafundmë, ku aleancat primitive funksionojnë
shumë mirë dhe ku si antipod kemi një sorrogatllëk vlerash të
çoroditura. Sorrogatëlleku i vlerave është pikërisht kjo aleancë
jo parimore dhe aspak e shëndoshë, që ka zëvendësuar
sistemin e vlerave reale dhe ka stopuar kyçjen e njerëzve të
duhur në punë të rëndësishme të kombit.
6.
Gjendja gjithandej hapësirave shqiptare nuk le shumë për t’u
ngazëllyer. Në të vërtet ajo është e rënd, edhe pse kombi
shqiptar në përgjithësi mund të thuhet se është liruar nga të
këqijat sistematike, nga regjimet, diktaturat, pushtimet,
mungesa e lirisë. Por, edhe pas kaq viteve tranzicionesh të
stërpërfolura, shumëçka ka mbetur pezull. Kultura dhe
aspektet shpirtërore janë të degraduara, për të mos thënë
shumë dimensione kulturore i janë nënshtruar një represioni të
çoroditur në emër të pseudovlerave dhe një sorogatëlleku
vlerash. Ky model kulture e politike ka ngulfatur jetën e
mirëfilltë nacionale. Bisedohet shumë për deformime politike,
për deformime ekonomike, për çorientime shoqërore e
ideologjike, por më pak ose fare pak për deformime
shpirtërore, ky lloj i deformimeve që ka pasoja të
paparashikuara për një komb. Ndaj këtij fenomeni reflektohet
me ngathësi, nuk debatohet, duke mos kuptuar se pikërisht ky
soj deformimi është më i vështiri më degjeneruese, ngase të
këqijat, i shndërron në të mira, në kode të sjelljes dhe të
komunikimit.
Është moment i duhur për të akumuluar gjitha potencialet
kombëtare në rrugën e rikthimit në mesin e kombeve të
civilizuara perëndimore. Në këtë rrugë përmes rindërtimit
shpirtëror duhet të plotësojmë boshllëqet historike dhe aktuale.