You are on page 1of 2

Sfidat e arsimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Një studim i fundit i OECD-së, vlerësonte që arsimimi ka një impakt më të
madh sesa thjesht ai
i të gjeneruarit të të ardhurave apo mundësive të punësimit pas shkollës
apo universitetit. Ndaj është edhe një nga kriteret që përfshihen në shumë
indekse ndërkombëtare zhvillimi apo mirëqenie si ai i HDI (Indeksi i
Zhvillimit Njerëzor). Në studimin që përfshinte mbi 80 vende, të rriturit me
më pak arsimim raportonin probleme më të shumta shëndetësore, kishin
më pak besim te njerëzit e tjerë dhe e perceptonin veten rëndom si
objekte (jo aktorë) në proceset politike. Studimi konkludonte duke u
shprehur se në vendet që dështojnë ti pajisin qytetarët e tyre me aftësitë
e duhura, progresi teknologjik nuk përkthehet në rritje ekonomike dhe një
pjesë e mirë e popullatës margjinalizohet.
Nga ana tjetër, inovacioni është sot një motor i zhvillimit ekonomik,
veçanërisht në vendet e Europës Perëndimore, Amerikës së Veriut,
Japonisë por edhe vendeve që pavarësisht vonesave historike apo
madhësisë së kufizuar (në territor dhe numër banorësh) si Singapori,
Izraeli, Irlanda apo Estonia, kanë arritur të kapërcejnë dekada dhe të
pozicionohen ndër vendet liderë në këtë drejtim. Siç kanë demonstruar
studime të panumërta, inovacioni nuk mund të zhvillohet në eter, pra nga
individë që punojnë të izoluar, por është gjithnjë produkt i punës në grup
dhe lind nga bashkëpunimet profesionale kombëtare apo ndërkombëtare.
Bota shumë-kulturore dhe me kufij të hapur përsa i përket ndarjes së
informacionit në shkencë dhe teknologji, të lejon, nëse ekziston
infrastruktura e duhur mbështetëse që të marrësh frytet e investimit të
sotëm në kohë reale, nëse ekziston vullneti i duhur, njerëzit e mençur në
drejtim, akademikët dhe profesionistët e zotë që lejohen dhe mbështeten
në punën e tyre krijuese dhe menaxheriale dhe ku politikat shërbejnë për
të nxitur dhe jo për të mbështetur interesa klienteliste.
Të rinjtë sot e kanë imperative të zhvillojnë qoftë aftësitë bazë të zanatit
apo profesionit që zgjedhin, qoftë aftësi të përgjithshme që janë ‘sine qua
non’ për t`u përshtatur në një botë gjithnjë e më fluide, që kërkon
maksimizim të fleksibilitetit individual për t’iu përshtatur, aftësi që kanë të
bëjnë me punën në grup, komunikimin dhe aftësitë negociuese që shkolla
ka për të detyrë jo vetëm t’i përfshijë si pjesë qendrore të filozofisë së saj
edukuese, por ti kthejë në detyra të dorës së parë për t’ua lehtësuar
nxënësve dhe studentëve të sotëm tranzicionin drejt profesionistëve të së
nesërmes.
Nëse marrim vetëm një prej elementëve që kanë të bëjnë me investimin
për të nesërmen dhe vizionin që duhet të ketë një qeveri në shekullin e
21-të ku gara bëhet nëpërmjet kërkimit shkencor dhe inovacionit që
bëhen dyfish më të domosdoshme për komb-shtete të vogla si ky i yni,
mund të themi që jemi ende mjaft larg si në vizion, ashtu dhe në aplikim.
Për shembull, buxheti 2016 parashikon vetëm 1.8 milionë USD për
kërkimin shkencor në universitete, ndërkohë që pagat e pedagogeve dhe

kërkuesve shkencorë nuk u rritën për të tretin vit radhazi. Kjo tregon më
së paku mosvëmendje ndaj një fushe që është jetike për të tashmen dhe
të ardhmen e ekonomisë dhe zhvillimit afatgjatë të vendit.
Niveli i mbështetjes për kërkimin shkencor në Shqipëri është i një niveli të
papërfillshëm dhe shumë larg standardeve europiane, duke qenë në shifra
absolute sa 0.1 për qind e PBB-së. E krahasuar kjo me atë britanik që zë
1.7 për qind të PBB-së apo të Koresë së Jugut që është e barabartë me 4
për qind të PBB-së apo me të shtetit të Katarit që sipas ambasadorit të tij
në Shqipëri shpenzon sa 12 për qind e shpenzimeve buxhetore apo 13
miliardë dollarë, atëherë krahasimi bëhet edhe më i plotë. Pra e krahasuar
me të paktën tre rajone të ndryshme gjeografike që shtrihen nga Europa
në Azinë e Largët apo vendet e Gjirit, Shqipëria shpenzon në mënyrë të
papërfillshme për kërkimin shkencor, si dhe për inovacionin dhe
teknologjinë. Gjithashtu mungojnë burimet e duhura dhe mbështetja
shtetërore (nëpërmjet AKTIT, tashmë i shkrirë si institucion dhe agjencive
të tjera qeveritare) për të mbështetur teknikisht dhe financiarisht
projektet e universiteteve dhe qendrave kërkimore-shkencore në vend që
të kthehen në konkurruese për projektet e Horizon 2020-ës.
Sot, shënojmë disa hapa mbrapa në këtë drejtim, ku kësaj ministrie jo
vetëm i është ndryshuar profili dhe inovacioni është marrë nën sqetullën e
një ministrie që ka prioritet administratën publike (duke e politizuar këtë
të fundit) dhe kjo duket edhe nga rënia pikiatë në renditjet ndërkombëtare
kur vjen puna te inovacioni, ndërsa teknologjia nuk ekziston më as si
akronim dhe as si prioritet. Mjaft të përmendim këtu raportin e fundit të
“The Global Creativity Index” të 2015-ës që i rankon vendet sipas
teknologjisë, talentit, tolerancës, kreativiteti, konkurrueshmërisë dhe
prosperitetit ku Shqipëria zë “krenarisht” një ndër vendet e fundit ndër
131 vende të listuara, në grup me vende si Moldavia, Kenia dhe Jemeni,
ndërkohë që edhe Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia janë një kategori
më lart, ndërsa Sllovenia është në të 16-tin.
Masa të tjera që duhen marrë sa më shpejt në kuadër të reformimit të
arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, duhet të përfshijnë inter alia
forcimin e kontrollit të cilësisë, akreditimin dhe rankimin e besueshëm,
rritjen e autonomisë reale për universitetet shoqëruar me fonde adekuate,
ndryshe autonomia mbetet në letër, mbështetjen e degëve që janë
prioritet të ekonomisë kombëtare dhe rrisin shkallën e avantazheve
krahasimore të vendit në rajon e më gjerë, rritja e konkurrencës bazuar në
cilësi, depolitizimi i sistemit arsimor, riaktivizimin e programeve
reformatore si ai i Fondit të Ekselencës dhe ai i Brain Gain për rikthimin e
trurit dhe punësimin e tij në vend, mbështetje të vazhdueshme dhe
cilësore për arsimin në diasporë dhe arsimimin dhe edukimin në vazhdim
të fëmijëve të prindërve të kthyer nga emigrimi, si dhe njohjen e
kualifikimeve profesionale të këtyre të fundit etj.