"Simboli i Humbur" nga Dan Brown me perfundim kontraverz Edhe ky roman, si edhe romanet tjera e vëjnë në pah stilin

e shkrimtarit, një narracion të shkëlqyer të kombinuar mjeshterisht me imagjinatën e situatave si dhe informatave mjaft të vyeshme historike dhe shkencore. Ai edhe me këtë libër, që kryesisht është për masonerinë dhe mbi themelet masone të SHBA-së (sipas autorit, kuptohet) na zhveshë shumëçka të fshehur deri më tani, shumë simbole, ide, relikte, teori, e deri tek krijimi i Romës së Re - Amerikës. Ai mjeshtërisht na shëtitë nëpër të dhënat historike, duke na ekranizuar që tash edhe këtë roman. Nuk lë anash edhe hapin me kohën, ku na paraqet të arriturat e fundit shkencore, ku ka sigurisht edhe një futurizëm. Ai ka arritur edhe këtë herë të ketë bashkpunim të shkëlqyeshëm me rrethe të ndryshme profesionale, për t'i dhënë lexuesit një ndjenjë të një mini-encikplopedie në duart e tij. Tash nuk dua të hy të përmendi gjithë ato shënime të rëndërsishme që ofrohen në këtë roman, baza e të cilit është krijimi i shtetit amerikan, një shtet i cili do të arrijë të bëhet superfuqi botërore, por edhe superfuqi mendërore. Kërkimi për dijen, është një kërkim që e ka përcjellë vazhdimisht dhe do ta përcjellë edhe tutje njerezimin. Thesari më i rëndësishëm i të gjiha kohërave padyshim se mbetet njohuria, dituria, të cilën autori me mjeshtëri na e përcjellë gjatë tërë veprës, si një Dije e fshehtë, një dije pothuajse universale, të cilën unë do ta titulloja më tepër si Dija e Ndaluar. Realisht, ajo që më ka bërë të mos ndihem i rehatshëm në përfundim të romanit, anipse tek e fundit është një imagjinatë, është mesazhi i fundit i fshehur përmes simbolit të humbur, në kuptimin e Dijes Antike dhe që rezulton se e tëra na qenka e vendosur e koduar në një libër fetar e që në këtë rast është Bibla, të cilën autori e vë në themel të obeliskut të Uashingtonit, duke harruar më parë që masonët nuk kishin fe dhe se Amerika nuk ishte e paracaktuar për të krishterë, por më tepër për një fe më universale, më të përmbledhur, apo siç thoshte Ajnshtajni për një fe kosmologjike. Gjithashtu, më parë në libër ai përmendë se masonët janë me profile të të gjithë popujve dhe religjioneve dhe fill për këtë ata nuk presupozojnë animin në njërën nga religjionet apo librat fetarë, pasi që të gjitha i marrin si mesazhe të urta, si dije e akumuluar antike. Dhe si ndodhë që në fund të stories, autori të vë në themelin e Obeliskut të Uashingtonit vetëm Biblën si simbol i të gjitha njohurive botërore, kur dihet fare mirë që përpos

Biblës, kemi Torën e hebrenjëve dhe Kuranin e muslimanëve, që të tria bartin në vete mesazhe të koduara shkencore dhe në njëfarë mënyre janë dije antike e akumuluar dhe mesazhe futuriste të përcjellura mjeshtërisht deri tek ne nga profetët e njohur tashmë nga historia. Autori në këtë pikë bie në kontradiktë me tërë storien e thurrur në roman dhe të përcjellur gjërë e gjatë dhe me vetë idetë masone, pasi në themel mbase përveç tre librave të famshem fetarë (Tora, Bibla dhe Kurani), mbase do të duhej të vendosnin edhe pak më tepër. Mendoj se kjo e ka varfëruar paksa këtë roman, porse ai sigurisht do të vazhdojë të jetë bestseller padyshim. Si duket autori, ka filluar të mendojë të afrojë qëndrimet me Vatikanin e Shenjtë, pasi kishte zemëruar atë kaq shumë me Kodin e Da Vinçit, sa që të mos riparohet kurrë, prandaj kjo mund të jetë një satisfaksion momental për ta, nje shenjë se djali po fillon të përmirësohet. Duke arritur në fund të librit dhe duke parë që autori vendosi kopjen e Biblës në themelet e obeliskut 555 këmbësh të Uashingtonit, mua më kalonin ndër mendje vetëtimthi tërë ato papiruse të vjetra e libra të vjetër që të krishterët i kishin shkatërruar gjatë shekujve, duke u frikuar se ato kontradiktonin me Biblën dhe se ishin herezi, kujtoja Bibliotekën e famshme, nënën e të gjitha bibliotekave atë të Aleksandrisë, që filloi të digjej nga Cezari e u dogj më shumë nga të krishterët më vonë, për tu rrafshuar më vonë e tëra nga muslimanët vetëm e vetëm se ato dije ose ishin sipas tyre herezi nëse kontradiktonin me librat e shenjte ose po të konfirmonin ato, nuk ishte e nevojshmë që më të ekzistonin, pasi e kishim tre librat tashmë; kujtoja shkatërrimin masiv të kulturës dhe shkrimeve inkase e maja, duke bërë që e tërë ajo dije antike e një kontinenti të zhdukej vetëm e vetëm se tashmë ishte një super libër; kujtoja se si njerëzit ishin djegur duke besuar se toka ishte e rrumbullakët dhe se sillej rreth Diellit, kujtoja dhe shumë kujtoja ... Për fund, nëse dija e akumuluar antike qenka vetëm në Bibël, por qoftë edhe në të tria bashkë, atëherë kjo i bjen që të justifikohen veprimet e mesjetes e inkuizicionit, duke tentuar të zhduknin gjithë njohurinë e paraardhësve tane. Porse ata nuk kishin arritur ta zhduknin të tërën dhe ta mbanin përjetësisht njerezimin në errësirë, megjithëse kemi humbur shumë, bile tepër. Autori bestseller Da Brown dhe cilido autor tjetër që eshtë, ka qenë dhe do të vijë, padyshim se ka të drejtën e tij të hedhë në letër imagjinatën, idetë, perspektivën, botëkuptimin e tij. Ky gjykim i vogël i imi nuk ka për qëllim ofendimin e asnjë religjioni apo mesazhin nëpërmjet të tria librave të shenjta, të cilat edhe vetë i respektoj dhe i zë si pasuri e njerëzimit. Njerëzimi do të vazhdojë kërkimin e dijes, si thesari më i rëndësishëm, duke mos anashkaluar ato që i kanë shpëtuar inkuizicionit dhe shkatërrimit të mbarëbotshëm, por duke përfshirë megjithatë edhe të tre mesazhet e fuqishme si Tora, Bibla dhe Kurani. Sa të jetojë njeriu, do të ketë nevojë për mbushjen e

zbrazëtisë me përgjigjet në pyetjet që vazhdimisht kërkojnë përgjigje dhe që ende nuk janë përmbushur. Mbase, ndodhë që pyetjet i kemi bërë gabimisht. Bashkim Fazliu - Migjeni 9.08.2010, Ferizaj Email: bashkim.fazliu@yahoo.com (ky shkrim u botua më 14.08.2010 në shtojcën për kulturë në “Koha Ditore”)

Sign up to vote on this title
UsefulNot useful