You are on page 1of 1

Përse Shqipëria nuk bën përpara

Nga: Enriko Ceko


Njëzetë vitet e fundit vendi ynë ka ecur nëpër një rrugë të vështirë duke u përballur me shumë probleme e situata të
pakëndshme, që mund dhe duhet të ishin shmangur nëse administrata publike do ishte përzgjedhur në mënyrë serioze,
në mënyrë që ajo të punonte me cilësi, efektivitet dhe eficiencë. Nëse administrata publike shqiptare do kishte si
busull të punës së saj etikën e punës, bërjen mirë të detyrës që herën e parë, përgjegjësinë ndaj çështjeve që
shqetësojnë qytetarët dhe mbrojtjen e interesave të shoqërisë, atëhere punët mund dhe duhet të kishin shkuar shumë
më mirë. Është mjaft evident fakti se në administratën publike në Shqipëri përveç se ka edhe njerëz të qytetëruar, me
kulturë dhe etikë pune, që duket janë pakicë, gëlojnë dallkaukët, të paaftët, arrogantët, ata që i fitojnë vendet e punës
me konkurse fiktive dhe që pastaj vetëm vënë firmën në bordero në shtet se tërë ditën e ditës nuk dihet se ku bëjnë
punë të tjera, që nuk kanë lidhje me shërbimin civil. Konkretisht, në datën 28 tetor 2010 në një nga dikasteret kryesore
në vend është bërë një konkurim për një pozicion shumë të rëndësishëm dhe personi që ka zënë vendin e parë në
konkurim ka marrë 92 pikë, kur ai nuk ka doktoraturën, e cila është 10 pikë në 100 pikët e mundëshme. Atëhere si ka
mundësi që ky person të ketë marrë 92 pikë? Në një konkurim në muajin shtator, po në një nga ministritë kryesore në
vend, detyra përgjegjës në një sektor shumë të rëndësishëm me rreth 250 vartës në tërë territorin e vendit, i jepet atij
që doli i dyti në konkurim, edhe pse më parë ishte thjesht një magazinier në atë ministri, kur konkurrenti në vend të
parë, me 20 vite përvojë pune, ka doktoraturë. Në një ministri tjetër, në një konkurim në gusht 2010, vendi i punës i
është dhënë një personi i cili është paraqitur 35 minuta me vonesë në testim. Tre javë më parë, në një pozicion shumë
të rëndësishëm pranë shefave të mëdhenj në Qeveri, vendin e punës, që kërkon doktoraturë, e merr personi që doli i
dyti në testim edhe pse nuk ka doktoraturë, kur personi që doli i pari në testim ka edhe doktoraturë. Raste të tilla
tashmë përbëjnë shumicën e përzgjedhjes së punonjësve në administratën publike dhe askush nuk merr iniciativën që
kjo situatë skandaloze të marrë fund. Sipas udhërrëfyesit të administratës publike, të autorëve E. Rabin, W. Hildreth
dhe G. Miller, “qëllimi kryesor i punës së administratës publike është realizimi i programit qeveritar, nëpërmjet
politikave cilësore të manaxhimt të avancuar. Kjo bën që qeverisja të funksionojë me të vërtetë”. Administratë publike
serioze është ajo që manaxhon me cilësi programet qeveritare dhe që bën përkthimin e politikës së pozitës në drejtim
në realitetin që qytetarët duhet t’a shikojnë çdo ditë. Administratë publike që punon fort është ajo që bën analizën e
politikave të zhvillimit dhe të elementeve që i prodhojnë këto politika dhe ajo që përcakton elementët e nevojshme për
të prodhuar politika alternative më të mira se ato aktuale. A ka ndonjë rast kur administrata publike në Shqipëri të ketë
ndërmarrë ndonjë nismë sa më lart. As që bëhet fjalë. Përse? Fare e thjeshtë! Pjesa më e madhe e punonjësve të
administratës publike në Shqipëri janë të paaftë ose janë të aftë por nuk duan të punojnë sepse i kanë zënë vendet e
punës me miqësi, bakshishe e bindje politike dhe kjo bën që këta punonjës shteti të mos jenë fare të interesuar që
organizimi, manaxhimi dhe ndërveprimi i politikave dhe i programeve qeveritare të jetë sa më i mirë që të jetë e
mundur. Presidenti i SHBA-ve Wilson, në fund të Shekullit XVIII theksonte: “administrata së pari duhet të gjejë se
çka është më e mira që një qeveri mund dhe duhet të bëjë dhe së dyti ajo duhet që punët t’i bëjë me eficiencë dhe me
sa më pak kosto”, por kjo realizohet kur administrata publike është e ndarë nga politika, kur eficienca e administratës
publike përmirësohet duke marrë shembull nga praktikat më të mira, që shpesh vijnë nga komuniteti i biznesit, kur ajo
ka në themel përmirësimin e vazhdueshëm dhe efektivitetin e shërbimit publik, mbi bazën e manaxhimit, trainimit dhe
bërjes së karierës në bazë të meritave. “Qëllimi kryesor i punës së administratës publike është mbrojtja e vlerave
demokratike dhe përmirësimi i barazisë, drejtësisë, sigurisë, eficiencës dhe efektivitetit të shërbimit publik”, theksojnë
R. Taylor dhe F. Group, dy nga specialistët që kanë ndërmarrë disa studime në fushën e administratës puiblike vitet e
fundit, por mesa duket në Shqipëri qëllimi kryesor i punës së administratës publike qenka mërzitja e njerëzve,
moszgjidhja e halleve të tyre, largimi i qytetarëve nga programet e zhvillimit dhe shkatërrimi i atyre hallkave shumë
të rëndësishme që realizojnë lidhjen midis mendimit qytetar dhe qeverisjes në nivel të lartë, qeverisje e cila, për këtë
shkak, nuk i ka fare këmbët në tokë. Është kjo administratë e paaftë, e përzgjedhur keq dhe shpesh me urdhëra nga
lart, e cila për shkak të kësaj mënyre përzgjedhjeje nuk ka asnjë nxitje që të punojë fort, për të arritur në afat dhe me
sa më pak shpenzime objektivat e strategjisë së zhvillimit dhe objektivat e mëdha të integrimit të vendit në rajon dhe
më gjerë dhe ky mesa duket është një nga faktorët kryesorë që Shqipëria nuk po bën më përpara dhe kjo nuk është
thjesht çështje e administratës publike.