Disa mendime mbi librin autobiografik Nga Sfida në Sfidë, jeta, Behgjet Pacolli .

B. Pacolli, një jetë përpjekjesh e sukseseshshembull inkurajimi për rininë. Po i filloj komentet e mia mbi librin dhe autorin e tij me gjëra që duken si të thjeshta, por që kanë një përmbajtje kuptimplotë. Ato lidhen ngushtësisht me vetë B. Pacollin, me jetën e dashurinë, me respektin e qetësinë, reagimin e drejtë apo përkujdesjen e tij ndaj të tjerëve. Madje, kudo në faqet e librit ndeshet thjeshtësia, ngrohtësia e dashuria e autorit për familjen, shokët, miqtë e kolegët, dhe, mbi të gjitha, një thjeshtësi e modesti karakteristike, të zhvilluara, të çelura e lulëzuara në vite.... B. Pacolli- Një jetë në lëvizje, një konceptim dinamik, aspak statik i saj, një angazhim i gjithanshëm për të ecur përpara, për kapërcyer çdo pengesë e vështirësi. Në fakt, B. Pacolli, edhe pse arriti kulmin në veprimtarinë e tij të biznesit, nuk qëndroi vetëm aty. Më 17 mars 2006, ai themeloi partinë politike Aleanca Kosova e Re (AKR). Po aq me vlerë konsiderohet dhe aktiviteti humanitar i tij. Më 1993, ai themeloi Les Enfants du Sakha si një fond ndihme ndaj fëmijëve. Kështu, p.sh., vite më parë, mbi 100 fëmijë janë dërguar prej tij në qendra mjekësore të specializuara të Evropës Perëndimore. Sipas regjistrave të biznesit, rezulton se B. Pacolli, krahas kontributit humanitar gjatë konfliktit të Kosovës, ka punësuar me mijëra shqiptarë të Kosovës në projektet e tij nëpër botë. Po ashtu, siç rezulton dhe nga libri, fondacioni humanitar Behgjet Pacolli ka dhënë një kontribut të veçantë në Universitetin Amerikan në Prishtinë. Më 3 korrik 2010, për të gjitha këto vepra humanitare, z. Pacolli u nderua me çmimin Kalorësi i Paqes së Mijëvjeçarit , nga Unioni Ndërkombëtar për Paqe. B. Pacolli mbështet financiarisht edhe fondacionin SEED (për zhvillimin e Europës Juglindore) dhe njëkohësisht është edhe këshilltar i CSIS (Center for Strategic and International Studies)... Dhe, ndërkohë, që përjetonte këtë kulm suksesi të gjithanshëm, ai shfaqte po të njëjtin angazhim e përkujdesje për familjen, njerëzit e afërm të tij. Por, jo vetëm për ta! Behgjeti si qytetar- Humanizmi i Behgjetit. Siç ndijohet nga rreshtat e librit, tek autori lexohet qartë humanizmi, ndjenja e sakrificës, gatishmëria për të kontribuar, përfshirë dhe atë sublime në shpëtimin e jetëve njerëzore. Shumë i veçantë ka qenë edhe angazhimi i tij në lirimin e tre pengjeve (Annette Flannigan, Angelito Nayan dhe Shqipe Hebibi) në Afganistan. Dy vjet më vonë kjo histori e ngjashme u përsërit me marrjen peng të një qytetari italian, (Gabrielle Torsello)... Ndër tipizimet të tjera njerëzore-qytetare të B. Pacollit janë dhe estetika e etika, liria e mendimit e respektimi i dinjitetit të tjetrit. E kam ndjerë, pra dhe dalluar këtë aspekt njerëzor në një intervistë të dhënë prej tij, shumë vite më parë, për ndarjen me Anën Oksën. E kam të gjallë ende sot: ishte një intervistë dinjitoze e qytetare, brendësi shpirtërore e përkujdesje të veçantë njerëzore. Madje, ishte po ajo intervistë, me horizontin e saj tepër njerëzor, që më bëri ta shohë me mendje tjetër e respekt këtë biznesmen të botës shqiptare. Të paktën në sytë e mi, ai meritonte të shihej ndryshe, në sajë të

finesës e sjelljes njerëzore, etike e estetike, ndryshe nga zhurma e krijuar dhe orteku i thashethemeve të asaj kohe. I njëjti perceptim m u rishfaq gjatë leximit të librit. Madje, ky lexim i ri më prodhoi të njëjtën ndjesi të ndeshur që në atë kohë më parë. Në libër, edhe pas shumë vitesh, ai kujton e flet po me të njëjtën dinjitet, respekt e dashuri, për Anën dhe jetën e përbashkët me të... Pjesë e veçantë e profilit njerëzor të B. Pacollit është dhe energjia vetjake, forca e karakterit, qetësia në vendimmarrje e kapërcimin e situatave sado të vështira. Ato kanë spikatur mjaft qartë në betejën e pabarabartë me Karla Del Ponten (Carla del Ponte). Krahas saj, dhe një pjesë e medias e kishte bërë punën e saj. Bile, Kremlingate i skenuar i Del Pontes, si kryeprokurore e Zvicrës, e kishte derdhur helmin e saj edhe midis nesh. Deri diku edhe shtypi italian, i ushqyer ose jo prej saj, me Corriere dela Sera në krye!..Madje, edhe me një këmbëngulje gati-gati histerike , pavarësisht se ajo dosje ishte e mbushur me kontradikta, sajesa apo evidenca propagandistike- mediatike, pjesë të hobit të saj fantazist (të shfaqur akoma më dukshëm në librin Gjuetia unë dhe kriminelët e luftës , të bllokuar në promovim nga vetë Ministria e Jashtme e Zvicrës). Nisur nga kjo ngjarje dhe raste të ngjashme, krahas argumenteve të karakterit politik e gjeostrategjik, që shfrytëzon vetë B. Pacollit, vlen të konsiderohen dhe ata psikologjikë, pse jo dhe të natyrës shoviniste. Bile, roli i këtyre të fundit nuk është i vogël. Për mendimin tim, duhet të pohohet me keqardhje se dhe suksesi në këtë botë ka pagesën e vet; godet suksesin me armën e smirës dhe intrigës, fut në veprim verbërinë e xhelozisë, shpifjes, ndyrësisë e pseudo-akuzës. Thënë ndryshe, suksesi ka qenë dhe mbetet për fat të keq një bashkëqytetar i lakmisë dhe zilisë së të paaftit, të pazotit, intrigantit e lakmitarit, hedonistit e përtacit. Kush e arrin këtë sukses të madh në jetë, si në rastin e B. Pacollit, përjeton jo rrallë zhgënjim e dhimbje nga dobësi të tilla njerëzore, të manifestuara turpshëm edhe prej individë, që duhet të mbeteshin borxhlinj tërë jetën! Vetë B. Pacolli, duke i kapërcyer këto zhgënjime me zemërgjerësi e humanizëm, e lartëson vetveten, duke i dhënë asaj forcë shpirtërore e energji njerëzore. E tillë mund të konsiderohet në libër, sjellja ndaj Maks Gygaksin, e bosit të dikurshëm të B. Pacollit, që, pasi falimentoi, vazhdoi të mbijetojë me ndihmën e vartësit të tij të dikurshëm. Nuk mund të lihet mënjanë në këtë autobiografi, edhe pse nuk shfaqet gjithmonë në m ënyrë eksplicite qëndresa fizike e shpirtërore, mos lëshimi i vetes, mos mposhtja e vetë autorit, që shfaqet fuqishëm në rimëkëmbjen e tij fizike e intelektuale pas aksidentit automobilistik... Pragmatizmi ekonomik. Tipik është dhe përafrimi ekonomik i B. Pacollit. Ai nuk mund të jetë veçse konkret e pragmatik në shqyrtimet e analizat ekonomike dhe të biznesit. Këtë e ilustron vetë veprimtaria e tij ekonomike, suksesi i saj! Për të, nisur nga një përvoja personale globale, përmirësimi i gjendjes ekonomike të Kosovës është një kusht i nevojshëm, edhe pse nuk është tërësisht i mjaftueshëm për ecurinë tërësore ekonomike të Kosovës, përfshirë edhe atë politike e institucionale. Duke ndjekur gjykimin e autorit, krahas zhvillimit ekonomik, duhet investuar paralelisht në rrafshin social-njerëzor, që nënkupton shkollim, përkujdesje shëndetësore e kushte të pranueshme jetese. Por, jo vetëm kaq! Duhet vazhduar përpjekja e përditshme për të ndërtuar dhe konsoliduar kohezionin, kapitalin social, atë projekt ekonomik-politik e social-kulturor, që sot tipizohet apo zbukurohet me togfjalëshin në anglisht: shared society . Parë me këtë sy, më duket i mundshëm e koheziv projekti i një zone të lirë ekonomike , që thekson B. Pacolli, në bisedën me Ban Ki Moon-in për veriun e Mitrovicës. Aq më tepër, se bëhet fjalë për një person që, kur flet për tregun e lirë, jeton me magjinë e tij. Ja çfarë shkruan vetë ai diku në libër: Tregu ishte magjia që më

tërhiqte. Prokurimi, apo blerja, procesimi apo prodhimi, shpërndarja ose shitja, e formojnë një zinxhir treunazor procesesh të tregut që s mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin. Progresi në secilën prej unazave sillte pasoja në secilin prej proceseve. Isha i mahnitur nga shpjegimet e këtyre proceseve, faktorët me ndikim në to... . Pikërisht mbështetur në këtë magji , në përpjekjet për depërtimin në tregun rus, B. Pacolli, dëshmoi qëndrueshmëri e durim, tolerancë e gatishmëri për ndihmë, takticitet e pragmatizëm në zgjidhjen e problemeve. Kjo kuptohet dhe nga këto pak rreshta të shkruar prej tij: Të hysh në një treg, ku nuk ka qëndrueshmëri politike dhe ku rrethanat sociale janë kërcënuese, është baras me një aventurë. Shumicën e vështirësive i kam tejkaluar me përkushtim profesional dhe vendosmëri, përfshirë këtu edhe sensin e hulumtimit, njohjes dhe kanuneve morale, që mbështeten fuqimisht mbi vlerat njerëzore... . Angazhimi i B. Pacollit për njohjen e Republikës së Kosovës. Pak kohë më parë e takova B. Pacollin në aeroportin e Tiranës. Aty, në sallën VIP, ai po i bënte shoqëri ministrit të Jashtëm të Maldiveve, z. Ahmed Shaheed, të njohur për kontributin e tij në njohjen e Republikës së Kosovës (njohja, 19 shkurt 2009; vendosja e marrëdhënieve diplomatike, 16 prill 2009). Pjesë kryesore e këtij procesi njohjeje ishte dhe vetë B. Pacolli, bile Uoker, kur analizon këtë aspekt të veprimtarisë së Pacollit thekson, midis të tjerash, se ai ju drejtua rrjetit të tij të kontakteve në mbarë botën, duke shfaqur një talent të natyrshëm për protokollin diplomatik kur qe e nevojshme, si edhe qasje më të drejtpërdrejta kur duhej... . Aty ai spikat si politikan, biznesmen e patriot. Nga ana tjetër, edhe vetë B. Pacolli, duke qenë i ndërgjegjshëm për vlerën e shtuar të tij si deputet i Kosovës, thekson se : ...të qenit në Parlamentin e Kosovës më ka krijuar disa avantazhe në krahasim me periudhën e kaluar, sepse tani jam pjesë e një përfaqësimi legal dhe të dëshmuar me votën e elektoratit. Unë kam të drejtë t u premtoj zgjedhësve të mi se do të angazhohem maksimalisht në procesin e njohjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ... Pragmatizmi politik dhe disa pamje konkrete të tij. E vlerësoj po ashtu përafrimin politik pragmatik të B. Pacollit. Jo se patjetër pikëpamjet e mia janë të njëjta me ato të tij; bile, në ndonjë rast, analizat e mia politike për ngjarje kryesore kanë veçime e theksime të tjera, ndoshta dhe të ndryshme, por se në këtë shumëllojshmëri e larmi fillojnë të përjetohen më mirë detajet e të vërtetës, përafrimet e mundshme e nuancat përkatëse. P.sh., për mua, në libër mungon, një përbërëse e rëndësishme, në periudhën e krizës kosovare, e lidhur ngushtësisht me kontributin e Shqipërisë, e politikës dhe e qytetarëve, e familjeve shqiptare, e solidaritetit dhe humanizmit shqiptar, që tronditën e befasuan me fuqinë e tyre të gjithë botën e qytetëruar. Ndoshta, në një mënyrë apo tjetrën, kjo lidhet dhe me kontaktet e pakta apo vështirësitë e vetë B. Pacollit për të depërtuar në mjedisin politik mosbesues të Shqipërisë, pas luftës mediatike e prokurorike të Del Pontes ndaj tij... Disa veçori, lexime apo konstatime të tjera, të lidhura me vetë autorin, janë edhe ato të paraqitura më poshtë: Sinqeriteti. B. Pacolli nuk pretendon asgjëkund në libër që e vërteta e tij është dhe e vërteta e të gjithëve, e vërteta absolute, sidomos kur përzihen dhe emocionet personale. Këtë ai e kupton shumë më mirë se të tjerët. Aq më tepër që mbart mbi supe një përvojë të suksesshme në biznes, një përvojë jetësore të lakmueshme, por dhe kontakte të gjithanshme kudo nëpër botë, një bashkëpunim të larmishëm me lloj-lloj njerëzish, me të metat dhe të mirat e tyre...

Vetë-tipizimi... Sidoqoftë, mjaft interesante në kuptimin e konceptim-perceptimit.. është dhe auto-tipizimi i B. Pacollit. Unë jam politikan atipik, ashtu si jam njëlloj patrioti atipik. E shoh atdheun te prona, te shtëpia, te varret e të parëve, te rrugët e përbashkëta, te tregu kombëtar, te qarkullimi pa pengesa i mallrave, njerëzve, ideve, te këngët, muzika, interneti. Patriotizmi im sendërtohet në një atdhe të fortë ekonomikisht, dhe jo domosdoshmërisht me ushtri të fortë. Jam për hapjen e kufijve, që do mundësojnë bashkimin e shqiptarëve... Jam kozmopolit, dhe kam folur që herët, që në shkollimet e mia universitare për globalizmin. Jam për hapjen e kufijve, ku duhet të lëvizë lirshëm interesi njerëzor. Unë e shoh globalizmin si respekt për vendin tënd, për origjinën tënde ...E kuptoj dhe e çmoj këtë pozicionim konkret, këtë merak dhe çlirësi të B. Pacollit. I vetmi shqetësim, në gjykimin tim, mbetet reflektimi i këtij pozicionimi bashkëkohor dhe klasifikimi konkret në mjedisin shqiptar e ballkanik, në shoqërinë shqiptare, në emancipimin tërësor të saj. Një ndërmarrje e dobishme dhe në sukses i padiskutueshëm. Që në fillim të librit te tij autobiografik, autori, krahas hezitimeve fillestare, përpiqet të sqarojë, ndoshta dhe të justifikojë, pse jo dhe me mjaft ndrojtje, marrjen e kësaj iniciative. Unë vetë, personalisht, pas leximit të librit dhe analizës së tij, pavarësisht dallimeve për ndonjë çështje të veçantë, kam bindjen se kjo iniciativë e realizon detyrën e saj. Për më tepër, në sytë e mi, ky libër mishëron një mesazh, ai pasqyron, po ashtu, një shembull, një mision, një mundësi, një realitet. Madje, në thelb, dërgimi i këtij mesazhi të librit dhe vetë autorit tek lexuesi e bën shumë më të drejtpërdrejtë detyrën e tij, si në rrafshin individual (intelektual-qytetar), ashtu dhe atë kolektiv (shoqëror politik). Ai i shërben jo vetëm nxitjes së suksesit dhe frymëzimit të karrierës, sakrificës e përpjekjes midis të rinjve, por dhe vetë dëshirës për shkollim e punë. Po ashtu, ai sintetizon e mundëson nëpërmjet jetës e veprës vetjake, përpjekjeve e angazhimit të vetë autorit, prekjen dhe përjetimin realist të botës individuale e shoqërore për rreth nesh, siç është, me të mirat dhe të këqijat e saj, me hallet e gëzimet, me dobësitë e fuqitë, me gabimet e përkujdesjet, me rastësitë e domosdoshmëritë, me horizontet e pafundme dhe kufijtë e saj kohorë e hapësinorë. Pikërisht, me shembullin e B. Pacollit, të pasqyruar në këtë libër autobiografik, mishërohet më së miri një gjë e tillë...

Prandaj, më mbetet të dëshiroj e uroj: Përgëzime e suksese të njëpasnjëshme! Prof. Dr. Rexhep Meidani Ish President i Shqipërisë (1997-2002)

Sign up to vote on this title
UsefulNot useful