Krizat dhe marrëdhëniet ndërkombëtare

Marrëdhëniet ndërkombëtare (m-n) gjatë shekullit XX, e veçanërisht pas vitit 1945, kanë pësuar ndryshime të mëdha. Ajo që bie në sy është numri i shteteve, që janë aktorët kryesorë të m-n, i cili ka ardhur duke u rritur, nga 40-50 në vitet 1900-1945 deri në mbi 190 pesëdhjetë vjet më vonë. Pas një përvoje të shkurtër e fatkeqe të Lidhjes së Kombeve në periudhën mes dy luftërave botërore, u krijua OKB, një arenë e madhe ku pleksen shtete të fuqishëm dhe të dobët, të pasur dhe të varfër, xhelatë dhe viktima, një lloj qeverie e botës, utopike dhe e papërkryer, por mjaft e domosdoshme për të sfiduar anarkinë në m-n. Historikisht shtetet janë ndeshur mes tyre në mënyra nga më të ndryshmet : mosmarrëveshje diplomatike, konflikte tregtare e doganore, luftëra të mëdha ose të vogla, më natyrë fetare ose civile, etnike ose fisnore, koloniale ose revolucionare, ato mund të jenë bërë për rrëzimin e tiranëve ose lirinë e njerëzve, për dalje në det ose për zotërimin e pasurive dhe zgjerimin e territoreve. Që këtej del, se sipas studiuesit të njohur H. Morgenthau, në themel të shoqërisë ndërkombëtare gjenden dy faktorë: njëri është diversiteti, tjetri është antagonizmi i elementëve të saj, i kombeve të veçanta. Kjo shumëllojshmëri formash të antagonizmit në m-n dëshmon për momentet e vështira që kalojnë marrëdhëniet mes shteteve, të cilat sintetizohen si kriza ndërkombëtare. Ky është rast mjaft i veçantë në histori, kur koha ndalon rrjedhën e saj, çasti kur vihet në pikëpyetje fati i njerëzimit dhe kur shtetarët pyesin vetveten për vendimet që do marrin dhe kur nuk dinë ende se si do të zgjidhin konfliktin dhe shtegun e rrezikshëm që duhet të zgjedhin, i cili ndan frikën nga shpresa dhe paqen nga lufta. A. Koncepti mbi krizën ndërkombëtare Shpesh herë duket sikur jetojmë në një epokë krizash të përhershme. Pas viteve 1990, përcaktime të reja janë përdorur për termin “krizë”, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë ngjarjesh ndërkombëtare: si p.sh. kriza e Afrikës së Jugut, kriza e Lindjes së Mesme, kriza e Ballkanit apo e ish-Jugosllavisë, kriza e borxheve, kriza e ushqimit, janë disa prej shembujve të shumtë. Disa 1

karakterizohen nga dhuna, si në Afrikën e Jugut, Lindjen e Mesme, Ballkan, ndërsa të tjera jo, si ajo e borxheve dhe e ushqimit. Për qëllimin tonë, kërkohet një përcaktim më i ngushtë. Një prej përcaktimeve të dobishme mbi shpërthimin e krizës kërkon katër elementë: • • • • Prioritet i lartë i qëllimeve i shtetit që kërcënohet; Kohë e kufizuar në dispozicion përpara se ndërmerren veprime; Situatë e paparashikueshme në pjesën më të madhe të rasteve; Situata nuk shkallëzohet deri në konflikt të armatosur.

Krizat dhe konfliktet ndёrkombёtare, veçanërisht ato nё Evropë, përbëjnë tiparin më të rёndёsishёm të m-n pas vitit 1945, pra periudhës së Luftës së Ftohtë. Kriza e Berlinit (1958-1961) dhe kriza e raketave në Kubë (1962), janë ato ndër më ato më klasiket e kësaj periudhe. Por krizat nuk janë kufizuar vetëm në marrëdhëniet Lindje-Perëndim, madje edhe sipas kriterit të përcaktuar si më sipër. Kriza e pengjeve në Iran (1979), p.sh. plotëson kërkesat e një krize të vërtetë ndërkombëtare: prioritet i lartë i objektivave amerikane, në lidhje me sigurimin e legatës diplomatike në Teheran, që ishte e kërcënuar; administrata e presidentit Karter e konsideronte situatën tepër shqetësuese; kapja peng e diplomatëve amerikanë ishte e paparashikuar; situata nuk u shkallëzua në konflikt të armatosur. Studimi i krizave ndërkombëtare është një dukuri e vonë, jo më shumë se gjysmë shekulli. Analizat e para u shfaqën në mes të viteve 1970. ShBA, të nxitura nga kriza e raketave në Kubë, u bënë pararendës të këtyre studimeve. Koncepti crisis management lindi nga studimet e kësaj periudhe dhe u shndërrua në disiplinë për studimin e m-n. Prej këtyre përpjekjeve të para për analiza dalin dy aspekte me rëndësi: kriza në m-n është një dukuri e veçantë dhe me një rëndësi të jashtëzakonshme; ka një mungesë thuajse të plotë mirëkuptimi mbi atë se çfarë është kriza saktësisht. Ky paradoks në dukje mund të shpjegohet me dy mënyra: në radhë të parë, duke ditur numrin e madh të krizave gjatë shekullit të XX, vihet re një kompleksitet i madh i fenomenit; sipas autorëve dhe përcaktimeve të bëra, nga kriteret më kufizuese deri tek më të zgjeruarat, numri i krizave varjon nga disa qindra në disa mija. 2

Kriza mund të përcaktohet si një moment ndërprerje ose ndryshimi i beftë brenda një sistemi të organizuar. Në aspektin ndërkombëtar ajo mund të jetë rezultat i një gjendje tensioni, apo i një qëllimi voluntarist ofensivë i një prej aktorëve të shoqërisë ndërkombëtare. Në çfarë do lloj rasti, kriza për arsye se ajo është mbartëse e rreziqeve për sigurinë kombëtare ose ndërkombëtare, kërkon që të merren me shpejtësi vendime e duhura dhe të gjenden mjetet e përshtatshme për ta zgjidhur. Kriza ndërkombëtare përbën kështu një dukuri të mprehtë dhe jo një kronikë, ku për pasojë, dinamika e vendimmarrjes është anormale dhe e jashtëzakonshme. Kriza mund të përkufizohet ndryshe edhe si një gjendje midis paqes dhe luftës. Aktualisht, në dy dekadat e fundit, krizat ndërkombëtare nuk janë detyrimisht ndërshtetërore. Në botën e pas Luftës së ftohtë, shtetet nuk kanë as monopolin e dhunës së armatosur as atë të fuqisë ekonomike e madje ushtarake. Shtetet nuk janë më aktorët e privilegjuar të lojës ndërkombëtare. Në një farë mënyre, roli i tyre po dobësohet dhe ngandonjëherë preferohet ti akordohet kujdesi i zgjidhjes së konflikteve, organizmave ndërkombëtare, që po kthehen gradualisht aktorë të krizave dhe rregullimit të tyre. B. Krizat, luftërat dhe konfliktet ndërkombëtare Mosmarrëveshje, konflikte, kriza dhe luftërat zakonisht karakterizojnë m-n. Mungesa e konflikteve mes shteteve është e rrallë. Historia jep pak shembuj të jetesës së njerëzve, shoqërive ose shteteve pranë njeri tjetrit për një farë kohe, pa manifestuar herët a vonë mosmarrëveshje ose konflikt pikëpamjesh apo interesash. Këto mosmarrëveshje në se janë të thella bëhen shkak për kriza dhe rrezikojnë, po qe se ashpërsohen, të çojnë në luftë. Por si mund të dallojmë krizën nga mosmarrëveshjet dhe luftërat? Cili është pragu kur kalohet nga njëra gjendje në tjetrën? Cilat janë raportet mes tyre? Si mund t’i dallojmë ato? Kriza dhe lufta përfaqësojnë dy nën-kategori të një dukurie më të gjerë, konfliktet ose mosmarrëveshjet ndërkombëtare. Në kuadrin e këtyre

3

konflikteve ndërkombëtare ose mosmarrëveshjeve, marrëdhëniet mes shteteve marrin katër forma të ndryshme: • konflikte ndërkombëtare pa kriza dhe luftëra; • kriza që nuk çojnë në luftë; • kriza si përgatitje për luftë; • lufta ose konflikti i armatosur. Në rastin e parë kemi një gjendje tensioni permanent që zgjat në kohë, e paqëndrueshme dhe shpërthyese. Shtetet kërcënojnë njeri tjetrin në mënyrë pak a shumë të fshehur ose të hapur. Por në se kërcënimi me përdorim armësh mbetet një eventualitet, marrëdhëniet mes dy shteteve në konflikt mbeten relativisht normale dhe thuajse paqësore. Në rastin e dyte, kriza që mund të ketë si shkak direkt ndodhi të ndryshme (vendime, rrethana, aksidente), përcakton marrëdhënie tepër të veçanta mes shteteve. Atëherë këta përballen papritur me një gjendje në dukje e vështirë dhe e mbarsur me rreziqe. Menjëherë duhen marrë vendime, që mund të shpien në reagime të ashpra e të dhunshme nga pala tjetër. Krizat, (rasti i tretë), të cilat çojnë në luftë (rasti i katërt), janë relativisht të pakta. Në shekullin e XX, shumica e krizave kanë qenë nën kontroll, qoftë në mënyrë jo të dhunshme, qoftë me anë të një përdorimi të kufizuar të forcës. Por përse atëherë ndodh që krizat të klasifikohen ndonjëherë brenda tipologjisë së luftërave? Thjesht sepse mendohet se një përqindje e konsiderueshme e krizave shkallëzohet në dhunë dhe luftë. Megjithatë, evidencat sasiore tregojnë se shkallëzimi i krizave drejt luftës është bërë më pak i dendur dhe kjo për arsye të rritjes së kostos së luftërave. Nga pikëpamja historike, sipas një studimi të bërë mbi 217 kriza që kanë ndodhur nga viti 1929 deri në vitin 1985 dallojmë: • • • kriza që nuk kanë çuar në luftë, 65% e rasteve; krizë e pasuar nga një luftë, 12% e rasteve; kriza që ndodhin gjatë luftërave, 23% e rasteve.

Konkretisht në rastin e fundit, disa studiues amerikanë përpiqen të dallojnë kriza brenda luftërave: beteja e Stalingradit ose zbarkimi në

4

Normandi përbëjnë kriza për Gjermaninë naziste, ndërsa ndalimi i sulmit të Aleatëve në malet Ardene (dhjetor 1944), ishte krizë për këta të fundit. Një krizë me zgjidhje të kënaqshme mund të rregulloj problemet dhe të zhdukë tensionet dhe mosmarrëveshjet që kanë qenë shkaku i saj. Por ka gjithashtu shumë mundësi një rikthim i gjendjes së tensionit që parapriu krizën, madje një tension edhe më i fortë. Ecuria e ngjarjeve mund të ndjekë një rrjedhë më dramatike dhe kriza përfundon realisht me luftë. Ky është rasti, kur gjatë shekullit të XX, kjo ka ndodhur afërsisht një në dhjetë raste. Pra kriza nuk është luftë. Krizat mund të shihen si një fazë speciale në marrëdhëniet mes aktorëve ndërkombëtarë. Ato, në një kuptim klasik janë manifestime të kushteve “as luftë dhe as paqe”. Lufta ose konflikti i armatosur janë shpesh produkt i krizave të menaxhuara keq. Lufta ndryshe nga kriza, përcaktohet si një instrument i politikës shtetërore dhe konsiderohet si një formë relativisht e re e dhunës së organizuar. Një luftë, megjithatë, shpesh përbën një krizë për një vend të tretë, i cili nuk është implikuar direkt ose menjëherë, por që mund të jetë në mënyra të ndryshme gjatë zhvillimit të mëtejshëm të një konflikti të caktuar. Për gjatë viteve 1980 dhe 1990, luftërat civile në Liban, Kamboxhia, Somali apo ish-Jugosllavi, megjithëse nuk implikonin direkt ShBA ose aleatët e tyre perëndimorë, përbënin për këto vende kriza ndërkombëtare të rrezikshme. C. Fazat e krizës dhe karakteristikat e tyre Kriza është një gjendje ndërprerje përgjithësisht momentale dhe e përkohshme në marrëdhëniet mes shteteve. Ndërkaq, kjo gjendje mund të zgjasë javë madje dhe muaj. Kriza evoluon në funksion të vendimmarrjeve dhe rrethanave. Një krizë ndërkombëtare tip zhvillohet përgjithësisht sipas katër fazave të dallueshme nga njëra tjetra: • • • • para-kriza, shkallëzimi, detanta, ndikimi, ose rezultati i krizës që merr në konsideratë aspekte të ndryshëm të ekuilibrit të ri të krijuar nga rregullimi i krizës.

5

Para-kriza është një periudhë tensioni jo-normal, por e kufizuar në marrëdhëniet konfliktuale mes dy ose më shumë aktorëve. Kjo është një fazë e rrezikshme, e cila po të mos kontrollohet dhe rregullohet, degjeneron papritur me rast ngjarjesh që mund të ndezin fuçinë e barutit. Atëherë ndodh ndërprerja e marrëdhënieve, ajo çka nuk duhej të ndodhte, pasi ajo fshin çdo gjë, duke filluar nga vullneti i mirë. Kjo ndërprerje ndodh në tre mënyra të mundshme: - një veprim armiqësor si p.sh. marrja peng e një territori nga një shtet në dëm të një vendi fqinj; - një ngjarje destabilizuese si vrasja e një kryetari shteti; - një ndryshim i frymës ndërkombëtare si p.sh. një deklaratë e njëanshme aneksimi territorial. Shkallëzimi si fazë lidhet me një prishje të thellë të ekuilibrit ndërkombëtar dhe rreziku i luftës rritet ndjeshëm. Ngjarje të tilla si : deklarata shtetarësh, shfrenime mediatike, manifestime nacionaliste, demonstrime ushtarake, ose ultimatume ndaj akteve që gjykohen si të

papranueshëm, e rëndojnë jashtëzakonisht situatën. Adoptimi i masave mbrojtëse nga një shtet, që vështrohet nga një shtet tjetër si shtim i rrezikut, shkakton si reagim kundër-masa dhe ushqen procesin e shkallëzimit. Kjo i përgjigjet tipit të marrëdhënieve ndërvepruese që modifikojnë tërësinë e marrëdhënieve. Ky çast, kur tensioni ka arritur kulmin është mjaft i rrezikshëm. Faktorë emocionalë, psikologjikë ose irracionalë rrezikojnë të ndikojnë mbi vendimmarrjen e drejtuesve. Ankthi dhe nervozizmi, i zënë vendin gjykimit në qetësi. Opinioni publik, i manipuluar, reagon befasisht ndaj ngjarjeve dhe luan një rol të veçantë herë në favor e herë kundër qetësimit të situatës. Në këto rrethana kriza është afër me luftën dhe kalimi nga njëra tek tjetra është i lehtë por dhe i frikshëm. Faktorët që shndërrojnë krizën në luftë gjenden në karakteristikat e sistemit ndërkombëtar, shtetet-aktorë e në natyrën e vetë krizës. Një sistem ndërkombëtar i bazuar në ekzistencën e shteteve sovranë, mes të cilëve mosmarrëveshjet janë të thella e të vjetra, ku konfliktet e shkuara janë të gjalla në kujtesën kolektive, është i përshtatshëm për kalimin nga kriza në luftë. Përdorimi i dhunës në të kaluarën përbën një precedent me rrezik, pasi kjo shihet si një mundësi e madhe që kriza të degjeneroj në luftë. 6

Kalimi nga kriza në luftë mes shteteve favorizohet nga katër rrethana të caktuara: 1- Ekzistenca e një çekuilibri të thellë në raportet e forcave, ndikon në zvogëlimin e kostos së një lufte dhe në pasigurinë e zgjidhjes së saj. Shteti më i fuqishëm natyrisht nxitet të mos frikësohet nga shkallëzimi madje as edhe nga vetë lufta. 2Paqëndrueshmëria e brendshme e një ose e disa shteteve favorizon nxitjen e luftës. Drejtuesit e shteteve të paqëndrueshëm, të preokupuar për të kapërcyer tensionet e brendshme, mund ta gjejnë me leverdi të orientojnë vëmendjen e publikut të tyre drejt rreziqeve të jashtme, burim i të “gjitha të këqijave”. Kjo është një prirje e zakonshme për regjimet autokratike. Por nga ana tjetër, kjo dobësi e brendshme e shteteve të paqëndrueshëm i bën ata më të cenueshëm. Shtete të tjerë mund të përpiqen të përfitojnë nga dobësia e tyre dhe të mos tuten nga shkallëzimi i konfliktit. Dy shtete të pa qëndrueshëm, në gjendje krize mes tyre, në mënyrë të natyrshme tentojnë të hyjnë në luftë. 3- Një shtet ndjehet i kërcënuar në atë çka ai e konsideron jetike për ekzistencën ose mbijetesën e tij. Sa më shumë shteti vlerëson si themelore interesat dhe vlerat e rrezikuara nga kriza, si tërësia territoriale, sigurimi kombëtar, ekzistenca e vendit, aq më shumë ky shtet tenton të marrë përsipër rreziqe që mund të çojnë në luftë. 4- Gjeografia luan rol në dinamikën e procesit krizë-luftë. Afërsia territoriale mund të acaroj shqetësimet e vendimmarrësve përballë një rreziku të pritshëm, në momentin kur nuk ka kohë në dispozicion për të vepruar dhe kur rreziku i ndeshjes është i madh. Njohja e këtyre faktorëve rëndues mund të ndihmoj në sensibilizimin e shtetarëve për rreziqet e degjenerimit të një krize, me qëllim që një shkallëzim i pakontrolluar të mos çoj në një konflikt të armatosur. Kontrolli i një tipi të tillë mosmarrëveshjesh, do të thotë të pengosh shkallëzimin, do të thotë të veprosh në mënyrë që të ruash kontrollin e situatës me qëllim që, si rezultat të kalohet nga kriza në detantë pa pasur nevojë të bëhet luftë.

7

Detanta është faza e tretë, ajo më e shpeshta, pasi shumica e krizave nuk përfundojnë në luftë. Pra detanta është procesi i kalimit nga kriza në paqe. Në këtë fazë, intensiteti i marrëdhënieve konfliktuale mes shteteve zvogëlohet ndjeshëm. Shtetet në krizë normalisht përpiqen të arrijnë një rregullim falë të cilit, në mënyrë progresive krijohej një ekuilibër i ri. Kjo fazë, e cila ka një kohëzgjatje variabile, dallohet nga një zvogëlim i tepër i dukshëm i rrezikut të konfrontimit ushtarak. Vendi i lihet normalizimit të marrëdhënieve dhe detantës. Interesat themelore të shtetit nuk duken se janë në rrezik të veçantë dhe lufta bëhet e pamundur. Faza e tensionit ekstrem zëvendësohet nga një fazë e padiskutueshme detante. Frika nga një ballafaqim ushtarak mes palëve kish qenë e tillë sa që ata premtuan të bëjnë gjithçka për të evituar që të gjendeshin përsëri në buzë të greminës. Shkaqet që favorizojnë detantën janë pak a shumë të kundërtat me ato që ashpërsojnë krizën gjatë fazës së shkallëzimit: mosmarrëveshja ka pak kohë që ka lindur dhe pak shtete janë përfshirë në të; këto shtete, ma forca thuajse të njëjta, regjimet politike të të cilëve janë kryesisht demokratike, i japin përparësi mjeteve jo të dhunshme në zgjidhjen e krizave. Faza e fundit e krizës, ndikimi (impact), është gjurma që lë ajo, pasojat e saj kur çështja ka përfunduar. Marrëdhëniet mes palëve protagoniste megjithëse të modifikuara, rifillojnë dhe drejtuesit konstatojnë rikthimin e gjendjes para-krizës. Çdo krizë transformon marrëdhëniet mes shteteve dhe çon në një ekuilibër të ri në gjirin e sistemit ndërkombëtar. Kriza që përfundon me suksesin e njërës palë dhe me humbjen e tjetrës dhe zgjidhet me një kompromis të dyshimtë ose përfundon pa rrugëdalje, rrezikon të çoj në një ringjallje të tensioneve dhe të paqëndrueshmërisë. Vetëm një përfundim harmonik që çon në një zgjidhje të kënaqshme të krizës për të dy palët krijon kushte për marrëdhënie të bazuar në besim reciprok dhe për pasojë edhe më të qëndrueshme. Rrugëdalja nga kriza nuk është mënyra e vetme që ndikon mbi pasojat e saj. Mirëkuptimi pak a shumë pozitiv i kundërshtarëve pas krizës mbështetet edhe mbi karakteristikat e vetë krizës dhe të qëndrimit dhe sjelljes së protagonistëve të saj. Krizat që kanë një ndikim destabilizues, janë 8

ato ku janë përfshirë disa pjesëmarrës, shpesh herë tepër të ndryshëm njëri nga tjetri, ku pleksen shumë kërkesa, debate dhe kundërshtime, të cilat janë administruar me mjete dhune, që kanë kohëzgjatje të madhe dhe që janë zhvilluar në zona gjeografike veçanërisht të ndjeshme. D. Tipet e ndryshme të krizave, origjina dhe shkaqet e tyre. Tipet e mundshme të krizave janë të shumta. Disa studiues i klasifikojnë sipas shkallës së intensitetit ose mënyrës së rrugëdaljeve të tyre, paqësore ose luftarake, sipas rezes gjeografike të veprimit, botërore ose rajonale, ose vetëm dypalëshe, të tjerë përpiqen t’i klasifikojnë sipas një rendi kronologjik, duke i ndarë në kohë dhe hapësirë në raport me këtë periudhë të jashtëzakonshme të shek. XX që është Lufta e Ftohtë. Në këtë mënyrë mund të dallojmë tre tipe krizash në këtë shekull të trazuar dhe të shkurtër, siç është quajtur me të drejtë nga historiani i njohur E. Hobsbawun i rrëmbyeri shekulli i njëzetë. 1- kriza periferike të fillimit të shekullit. Ato quhen të tilla për arsye se prekin interesat periferike të fuqive të ndryshme, të cilat nuk kanë arsye themelore për të përdorin armët, pasi ato nuk prekin interesat e tyre jetike; 2- krizat qendrore të Luftës së Ftohtë. Këto janë kriza të vazhdueshme dhe gjenden në zemër të sistemit ndërkombëtar, kryesisht në Evropë dhe veçanërisht rreth çështjes gjermane dhe qytetit të Berlinit, si simbole të Luftës së Ftohtë. Në këtë rajon ku ballafaqohen dy blloqet më të mëdha ushtarake të botës, u zhvilluan krizat kryesore dhe më të rrezikshmet, megjithëse rrezja e tyre e veprimit shtrihej herë herë disa qindra km më në veri ose jug, në Budapest, Pragë ose në Mesdhe. 3- krizat pas vitit 1990, që nuk janë më kriza qendrore për shkak të mungesës së rivalitetit mes dy superfuqive. Somalia, Rwanda, Kamboxhia janë kriza periferike, ndërsa krizat në ish-Jugosllavi ose ato në Lindjen e Mesme dhe Korenë e Veriut, lidhen me probleme të rëndësishme të organizimit ose të prishjes së raportit të forcave brenda të sistemit ndërkombëtar aktual. Por ato kanë një ndryshim të thelbësor me periudhën e Luftës së Ftohtë. Krizat aktuale tentojnë të 9

gjejnë zgjidhje jo më në ballafaqimin mes aleancave antagoniste që sot nuk janë më, por në kuadrin e bashkëpunimit të pasuesve të tyre. Klasifikimi i krizave sipas shkaqeve dhe origjinës së tyre është relativisht më i thjeshtë. Nga njëra anë, dukuritë konfliktuale të vëzhguara mund të jenë të befasishme ose në të kundërtën progresive, nga ana tjetër, ato janë rastësore ose, në të kundërtën voluntariste. Kriza progresive. Kriza klloçit për njëfarë kohe dhe në mënyrë graduale, ajo shpërthen në momentin kulmor të një procesi të ingranuar e të shkallëzuar tensioni mes dy kundërshtarëve. Megjithatë, kohëzgjatja e inkubacionit të krizës sipas rasteve është shumë më e gjatë se disa ditë, ose javë, si p.sh. kriza mes Izraelit nga njëra anë dhe Egjiptit e Sirisë nga ana tjetër në qershor të vitit 1967, që rezultoi në “luftën e Gjashtë Ditëve”. Shfrytëzimi progresiv i burimeve natyrore, zbatimi i teknologjive të reja, popullsitë në rritje ose që emigrojnë, janë dukuri që ushtrojnë gradualisht presione mbi sistemin ndërkombëtar ose mbi shtetet, deri në atë shkallë sa bëhen shkak për kriza. Si kriza potenciale, aktualisht figurojnë rastet e Koresë së Veriut dhe Iranit. Përpjekjet e këtyre vendeve për tu pajisur me armatim atomik, përbëjnë një shqetësim të madh për shoqërinë ndërkombëtare. Imigracioni i hebrenjve në Palestinë gjatë gjysmës së parë të shek. XX është në një masë të konsiderueshme origjina e mjaft krizave në Lindjen e Mesme që prej vitit 1947 e deri sot. Kjo tregon qartë rolin e mundshëm të migracionit ndërkombëtar në shpërthimin e krizave. Katastrofat natyrore, si thatësirat e mëdha për vite me radhë në Afrikë, të cilat shkaktuan në Somali në 1992 uri dhe luftë civile, janë në orgjinë të një krize të gjatë dhe progresive. Kriza të befasishme. Këto lloj krizash janë më të zakonshme dhe më të shpeshta. Ato shkaktohen nga ngjarje të çastit dhe që zgjasin shumë pak, por që parashikohen me vështirësi. Këto kriza përbëjnë një moment dramatik në marrëdhëniet mes dy shteteve, në rastin kur një incident i veçantë prish stabilitetin dhe ekuilibrin mes tyre. Për nga vetë natyra, këto kriza të karakterizuara nga një surprizë thuajse e plotë, nuk mund t’i parandalosh. Megjithatë, shtetari mund të përpiqet të përgatitet, intelektualist dhe materialisht për një sprovë të tillë. Ngjarje të tilla si marrja 10

peng e diplomatëve amerikanë në Teheran (1979), bombardimi ajror Tripolit (1986) nga aviacioni amerikan, masakrat ndëretnike në Rwanda (19901991), përbëjnë shembuj ngjarjesh që ndodhin befas dhe që gjenerojnë kriza në m-n. Kriza voluntariste ose rastësore. Të bësh dallimin mes një krize voluntariste ose të shkaktuar në mënyrë të ndërgjegjshme me një krizë të rastësishme lidhet me faktin se në cilën anë vendoset vëzhguesi i tyre. Shpërthimi i një krize është ngandonjëherë rezultat i politikave të qëllimshme. Një shtet shpreson të marrë kështu nga një shtet tjetër avantazhe ose përfitime, me qëllim që të përmirësoj pozitën ose sigurimin e tij. Për një nga shtetet kriza është voluntariste, për tjetrin ajo është rastësore. Rimilitarizimi i Rhenanisë (1936) dhe copëtimi i Çekosllovakisë (1938) nga Hitleri, janë shembuj klasik të shpërthimit të krizave në mënyrë të ndërgjegjshme, duke u bazuar në kalkulime paraprake për të dalë fitues nga kriza ndërkombëtare. Një situatë e ngjashme përsëritet me rastin e nacionalizimit të kanalit të Suezit nga koloneli Nasser (1956), ose kur serbët e Bosnjës bombarduan Srebrenicën për të përzënë që andej myslimanët (1995). Pasojat e një krize të qëllimshme, sigurisht që nuk mund të jenë doemos ato që shpresoheshin dhe rezultatet e parallogaritura nuk janë kurrë të garantuar. Megjithë këtë, bota ka ecur në këtë shekull nga kriza në krizë. Njohja dhe dijenitë rreth krizave të kaluara dhe se si ato janë vënë nën kontroll dhe zgjidhur, përbëjnë kushte paraprake dhe mjaft të nevojshme për një drejtim të mirë dhe efikas të shtetit. Kriza, krahas rrugëve të tjera si bisedimet diplomatike, integrimi ekonomik dhe politik, krijim i organizatave ndërkombëtare, ose madje edhe lufta, është një mekanizëm i dobishëm për zhvillimin e sistemit ndërkombëtar. Megjithatë, karakteri i saj i trazuar dhe shpërthyes e bën krizën një mjet të vështirë për tu zotëruar dhe aspak i përshtatshëm për një evolucion paqësor të marrëdhënieve ndërshtetërore. Kjo për arsye se momenti kur shpërthen kriza është zakonisht i paparashikueshëm dhe shtetarët gjenden të papërgatitur. Por ajo ndërkaq shfaqet si një katalizator i fuqishëm i përcaktimit, vendosjes ose transformimit të raporteve të forcës 11

mes shteteve. Kjo është arsyeja që kriza përbën një mjet të privilegjuar të përmirësimit të sistemit ndërkombëtar dhe si e tille ajo duhet konsideruar e dobishme.

www.erletshaqe.com

12