You are on page 1of 6

Dr.

Myzafere Mustafa, këshilltare shkencore në Degën e


Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës

Kontributi i prof. Anton Çettës në studimin e letërsisë gojore

Prof. Anton Çetta është figurë markante e kulturës shqiptare në përgjithësi. Ai ishte
njëri ndër mbledhësit dhe botuesit më të njohur të krijimtarisë letrare gojore dhe të
folklorit, njëri ndër studiuesit serioz të krijimtarisë letrare gojore, shkroi poezi
për fëmijë brumin e së cilës e mori nga krijimtaria gojore, u mor me përkthimin
dhe shqipërimin e disa veprave të njohura të letërsisë botërore nga gjuha italiane
dhe frenge, ishte profesor në katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, atëherë në
Fakultetin filozofik të Prishtinës, ku ligjëronte me dashuri e përkushtim dhe ishte
shumë i dashur dhe i respektuar nga studentët, meqë reflektonte dhe përçonte një
kulturë të madhe dhe njohuri të gjëra për letërsinë në përgjithësi dhe për kulturën e
gjuhës. Kishte një talent të lindur dhe një elokuencë të natyrshme për të ligjëruar
dhe në fund ishte pajtimtari i madh dhe i famshëm i gjaqeve dhe ngatërresave në
një kohë kur Kosova po kalonte një fazë të rëndë të mbijetesës.

Fillet e punës së Anton Çettës në mbledhjen dhe botimin e krijimtarisë gojore

Aktivitetin për mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore Anton Çetta e kishte filluar
qysh nga viti 1954. Në fillim ishte orientuar në mbledhjen e prozës gojore, kur me
ditë të tëra kishte qëndruar në odat e Drenicës. Puna ia kishte diktuar dhe ai
gradualisht kishte zënë shumë miq në Drenicë, në tërë Kosovën dhe më gjerë dhe
kishte fituar autoritet të madh në popullatën e Drenicës dhe të Kosovës, jo vetëm
pse e mblidhte krijimtarinë gojore, por edhe për mishërimin e tij me atë krijimtari
dhe me mentalitetin e burrave të odës si dhe për qëndrimin e tij burrëror gjatë
kohës sa kishte qëndruar në odat shqiptare për të mbledhë krijimtarinë shpirtërore.
Miqësinë me burrat e odave e ka ruajtur gjatë tërë jetës, prandaj edhe në shtëpinë
e tij e kishte lënë një odë burrash me oxhak, ku i priste miqtë nga të gjitha viset e
Kosovës dhe jashtë saj.
Më pastaj prof Antoni ka zgjeruar gamën e interesimeve për mbledhjen e
krijimtarisë letrare gojore edhe në viset e tjera të Kosovës madje edhe në Mal të Zi,
Maqedoni, në Luginën e Preshevës, Medvegjë e gjetiu, pra ai mblodhi një sasi të
madhe materialesh letrare gojore, në Kosovë dhe jashtë sa, në trojet e ish
Jugosllavisë, dhe i botoi në disa vëllime të sistemuara e të klasifikuara sipas
zhanreve. Vlen të theksohet se ai kishte një sens të veçantë për hulumtimin dhe
kërkimin e krijuesve të talentuar,ndërsa përzgjedhjen e materialit e bënte në terren
duke i shënuar njësitë nga krijuesit e mirëfilltë. Prandaj edhe materialet e
mbledhura nga ai shquhen jo vetëm për pasurinë tematike por edhe për vlerat e
artistike, për gjuhën e pasur të viseve dhe të krijuesve nga janë shënuar dhe për
stilin e mirëfilltë popullor. Ai ishte ithtar i ruajtjes së origjinalitetit të krijimtarisë
letrare gojore prandaj edhe i kërkonte të dhënat e sakta për krijuesit dhe bartësit,
për profesionin dhe kërkonte të dhëna edhe për paraardhësit e krijuesve. Me
themelimin e Institutit Albanologjik ai ishte zgjedhur shef i Degës së Folklorit ku i
kishte vënë vetit për detyrë parësore botimin e krijimtarisë letrare gojore të
përfshirë në një projekt prej 24 vëllimesh, të sistemuar sipas zhanreve. Ai së pari
zgjodhi bashkëpunëtorë për degën e folklorit që ishte kusht themelor për
funksionimin e saj. Duke qenë një njeri i autoritetshëm ai njëkohësisht krijoi një
rrjet bashkëpunëtorësh të jashtëm, kryesisht ish studentë të tij dhe intelektualë të
cilët eksploronin material folklorik dhe e sillnin në Degën e folklorit, material ky që
është përfshirë në vëllimet e botuara të Institutit Albanologjik. Disa vëllime me
materiale prof. Antoni i përgatiti vetë, ndërsa me zgjerimin e Degës së Folklorit,
disa vëllime i përgatitën punonjësit shkencorë të Degës së Folklorit të këtij Instituti.
Blejve të botuar me materiale letrare gojore u prijnë punime studimore, ndërsa në
fund janë të pajisur me aparaturën e përcjellëse ku hyn fjalori i fjalëve më pak të
njohura, regjistri i këngëtarëve apo rrëfimtarëve dhe lista e mbledhësve, që i
karakterizon botimet e mirëfillta të këtij karakteri.

Tipologjizimi i prozës gojore

Prof. Antoni nuk u mor vetën me mbledhjen dhe botimin e krijimtarisë folklorike ai
njëkohësisht u mor edhe me studimin e saj, duke iniciuar studimin e problemeve të
ndryshme të pa rrahura apo më pak të rrahura në folkloristikën tonë.
Interesimet e prof. Anton Çettës në lëmin e studimit të letërsisë gojore1 u shtrinë në
rrafshin teorik dhe në studimin e çështjeve për nevoja praktike të kushtëzuara nga
materialet e mbledhura në terren. Një çështje praktike ishte emërtimi i disa
zhanreve të cilat nuk ishin mbledhur apo ishin mbledhur pak dhe nuk kishin
emërtimin përkatës. Më pastaj edhe studimi dhe njohja e personaliteteve të
këngëve me tematikë historike ishte objekt i interesimit të prof. Ai po ashtu shkroi
edhe studime të rëndësishme për disa nga zhanret e krijimtarisë letrare gojore.
Njëri ndër studimet e tij të rëndësishme të karakterit teorik dhe praktik është punimi
Për një ndarje më të plotë të prozës sonë popullore dhe emërtimin e ca llojeve të
saj2. Në këtë studim trajtohen veçoritë e prozës gojore, të strukturës përmbajtjesore
si ndërtim dhe të strukturës semantike si ide dhe domethënie. Ai tipologjinë apo
klasifikimin e bën duke i pasur si bazë strukturën e ndërtimit tekstor dhe kuptimor,
gjithnjë duke përfillur njohuritë teorike lidhur me prozën gojore dhe klasifikimin e
studiuesve të njohur të krijimtarisë letrare gojore. Krahas klasifikimit pra vendosjes
së zhanreve brenda prozës gojore ai angazhohet edhe për emërtimin e zhanreve
përkatëse duke bërë përpjekje për standardizimin e terminologjisë ekzistuese të
njohur në studimet e folkloristikës botërore dhe shqiptare por edhe në kërkimin e
1
Mendimi kryesor i prof. Anton Çettës për çështjet e letërsisë është përfshirë në veprën “Kërkime
folklorike”, Rilindja Prishtinë, 1981.
2
Kërkime folklorike, f. 7 – 24.
2
termave përkatës shqip që nuk largohen nga kuptimet e mëparshme ekzistuese.
Nga përvoja praktike si dhe nga literatura e botuar ai miraton disa nga emërtimet
dhe një pjesë të klasifikimeve ekzistuese, të cilat në një mënyrë janë kodifikuar si
nocione dhe lloje, njëkohësisht propozon një klasifikim të zgjeruar, të pasuruar me
lloje që me kohë janë pavarësuar. Ai veçon disa zhanre që i ka hasur me rastin e
hulumtimit dhe të mbledhjes së prozës gojore në terren, e që deri më atëherë nuk
ishin ndarë dhe emërtuar si zhanre më vete. Kështu, bie fjala, propozon nocionin
kallëzim dhe klasifikimin e tij si zhanër të veçantë, i cili deri atëherë klasifikohej si
përrallë, përrallë realiste, përrallë novelistike etj, ndërsa vetë termi kallëzim ishte
përdorur në kuptimin e përgjithshëm të tregimit. Po ashtu për zhanrin e njohur në
popull si mesele propozon nocionin anekdotë, si më të afërt për njohësit dhe
studiuesit e kësaj krijimtarie dhe nga fakti se si nocion ishte pranuar që më parë në
Historinë e letërsisë shqipe si dhe në traditat e popujve tjerë. Për zhanrin e njohur
me nocionin fabula që në popull është i njohur si mesele me kafshë propozon
nocionin përrallëz, i cili sipas mendimit të tij është më i afërt për shqipfolësit.
Një meritë të veçantë autori ka edhe në përcaktimin, emërtimin dhe tipologjizimin e
disa zhanreve që nuk ishin mbledhur sa duhet apo nuk ishin vërejtur fare nga
mbledhës të ndryshëm, si fjala vjen pleqnia, tregimi etnografik e disa të tjera. Që
problematika e shtruar të jetë sa më e afërt dhe sa më konkrete prof. Antoni trajton
secilin zhanër veçmas, analizon botën dhe tiparet e tyre që e diferencojnë si zhanër
a lloj më vete dhe jep shembuj konkretë të shënuar nga terreni.
Një trajtim të veçantë u bën të ashtuquajturave lloje apo forma të vogla, për të cilat
propozon emërtimin lloje minore. Vërehet këtu aftësia e njohësit të materies
ekzistuese në terren dhe asaj të botuar, me ç’rast me kompetencë i ndan këto në 13
lloje, terminologji kjo e zgjeruar që lë shteg për zgjerimin të mëtejmë.

Studiues i thelluar i baladës shqiptare

Rezultat i përgatitjes teorike dhe i njohjes së materialit folklorik është punimi Disa
të dhëna mbi zhvillimin struktural të baladës shqiptare3 ku autori i qaset studimit të
baladës në thellësi dhe gjerësi që nga fillimet e zhvillimit të saj.
Duke pasur për bazë një literaturë të pasur teorike dhe një material të pasur, ai me
kompetencë dhe akribi trajton veçoritë e këtij zhanri dhe evoluimin e tij gjatë
shekujve në rrafshin e strukturës tekstore, në rrafshin tematik dhe në rrafshin e
shtrirjes regjionale, e cila shtrirje e ka kushtëzuar zhvillimin dhe evoluimin e saj,
pasurimin me elemente të reja në tematikë, në strukturën e rrëfimit – narracionit dhe
në metrikë. Përmes analizës konkretizohet zhvillimi historik dhe transformimi i saj.
Në mënyrë argumentuese trajtohet evoluimi i baladës prej zhanrit me veçori
kryesisht lirike, në viset bregdetare veriperëndimore dhe te arbëreshët, në një
zhanër epiko lirik, deri te baladat e zonës verilindore e lindore që marrin karakter
epik. Përmes të ashtuquajturit motiv i të kënduarit në mal dhe varianteve të baladës
me këtë motiv të botuar që nga Dorëshkrimi i Kieutit i vitit 1737 dhe baladave të
shënuara më vonë në Ljare të Shestanit, pastaj varianteve të Gostivarit, Tetovës,
Kërçovës dhe të baladave të mbledhura nga vetë autori në Shalë të Bajgorës jepet
zhvillimi dhe evoluimi i strukturës tekstore dhe kompozicionale, hetohen shtresat e
lashta mitike dhe pasurimi i tyre i kushtëzuar nga pozita gjeografike dhe nga
rrethanat sociokulturore.

3
Disa të dhëna mbi zhvillimin struktural të baladës shqiptare, po aty f. 137- 159.

3
Studiues i simbolikës së përrallës dhe zhanreve të prozës gojore

Njohja e përrallës në ambiente autentike, mbledhja e saj gjatë procesit të rrëfimit,


botimi në vëllime të veçanta, qoftë në blejtë e Drenicës, qoftë në vëllimet tjera me
vete, e nxitën prof. Antonin që t’i përkushtohet edhe studimit të saj. Përrallën 4 ai e
vlerëson si njërin ndër zhanret më artistike të prozës gojore. Edhe pse veçori
qenësore të saj janë e mrekullishmja dhe fiktivja, ai thekson se përralla e ka bazën
në realitetin jetësor e më pastaj shton se përralla në mënyrë indirekte është
reflektim i jetës, i dokeve dhe i zakoneve, i mitologjisë së lashtë etj. Të gjitha këto
në përrallë shprehen përmes veprimit të personazheve, të qenieve dhe të mjeteve
mitike të cilat kanë funksion të shumëfishtë. Bota e përrallës shqiptohet përmes
gjuhës së simboleve, gjuhës abstrakte dhe përgjithësimit artistik e nëpërmjet të
këtyre reflektohet jeta e njeriut dëshirat dhe synimet e tij për mbizotërimin e
fenomeneve dhe të dukurive natyrore që ishin të panjohura dhe të paarritura për të.
Profesor Antoni thekson se krijuesi gojor me intuitën e tij dhe me imagjinatën e
pasur shumë më herët u ka paraprirë disa proceseve, dukurive dhe dëshirave të cilat
për njeriun e kohës së sotme janë bërë realitet.
Komponentë të rëndësishme të përrallës e konsideron konstituimin e botës unike të
saj, e cila sajohet në tri rrafshe apo shtresa. Shtresa e parë është realiteti jetësor,
shtresa e dytë realiteti i mundshëm (modeli i realitetit) dhe shtresa e tretë
projeksioni i realitetit apo realiteti i dëshirueshëm. Këto shtresa i konkretizon dhe i
analizon brenda përrallës shqipe.
Proza gojore ishte preokupim i përhershëm i prof. Anton Çettës, këtë ia imponoi
materiali i bollshëm që e gjeti në terren si dhe krijuesit dhe përcjellësit e shumtë dhe
të talentuar me të cilët ishte në kontakt të përhershëm. Këtë interesim e dëshmojnë
punimet e ndryshme që trajtojnë gojëdhënën, kallëzimin, anekdotën, fabulën,
bisedat dhe rrëfimin alegorik5 e të tjera.

Studiues i personaliteteve të traditës gojore

Fytyrat e ndritshme të historisë sonë kanë nxitur fantazinë e krijuesit përherë të


thurë krijime të ndryshme në prozë apo në poezi. Për figurën e Skënderbeut lindën
krijime të shumta disa nga të cilat arritën deri në ditët e sotme, qofshin ato
fragmentare apo më të plota. Krahas gojëdhënës u kënduan edhe këngë të shumta
për personalitetin e këtij strategu, për luftërat me turqit, për flijimet që i bënë femrat
që të mos bien në duar të armikut, për fuqinë mitike të Skënderbeut dhe të kalit të tij
etj. Nëpërmjet të fakteve historike që nga Barleti e këndej dhe nëpërmjet të analizës
së këngëve që këndojnë “Motin e madh” të Arbnit dhe nëpërmjet të gojëdhënave,
prof. Antoni i ndriçoi disa aspekte të kësaj figure të ndritshme të historisë sonë me
ç’rast thekson se këto krijime ”lanë gjurmë të pashlyeshme të qëndresës së
papërkulur të masave popullore me Skënderbeun në krye... e bënë atë rezistencë të
pavdekshme…dhe qenë një porosi për breznitë e më pastajme që mbajtën të gjallë
kujtimin krenar të adeteve të lavdishme të motit të madh”6.

4
Anton Çetta, Parathënie, në Përralla I, përgatitur nga Anton Çetta, Instituti Albanologjik, Prishtinë,
1979.
5
Anon Çetta, Mbi gojëdhënat (parathënie) në Nga Folklori ynë I, Përralla dhe gojëdhëna, f. 281 –
283, Anton Çetta, Mbi kallëzimet, në Nga Folklori ynë II, Kallëzime dhe përralla, Rilindja, Prishtinë
1989, Mbi përrallëzat, po aty f. 291 – 293. Bisedat dhe kallëzimet alegorike në Drenicë, në Kërkime
folklorike f. 65 – 74.
6
Anton Çetta, Fytyra e Skënderbeut në traditën popullore, Në: Simpoziumi për Skënderbeun 9 – 12
maj, Prishtinë, 1969. shih edhe në Kërkime folklorike, f. 112 – 123.
4
Prof. Anton Çetta iu qas me përkushtim edhe studimit të këngëve me tematikë
historike. Brenda këtij zhanri ai u mor me këngë të veçanta, të cilat u kushtohen
personaliteteve të ndryshme si dhe me këngët që u kushtohen ngjarjeve që kishin
pasur ndikim në historinë e popullit tonë, si bie fjala, këngët e periudhës së
Tanzimatit apo këngët e periudhës së Lidhjes së Prizrenit. 7 Në punimet e tilla ai
ndriçoi çështje që lidhen me individët që këndohen në këngë, ndriçoi rrethanat
historike si dhe qartësoi ngjarjet për të cilat bëhet fjalë në këto këngë. Nëpërmjet të
analizës dhe të krahasimit të varianteve, nëpërmjet të bisedave me pasardhës të
personaliteteve që këndohen në këngë si dhe duke u bazuar në literaturën historike,
ndriçoi personazhet e këngëve, kohën e ngjarjes, shkaqet që i kishin nxitur të bien
në konflikt me pushtetin e atëhershëm etj.
Gjatë trajtimit të këngëve me tematikë nga ngjarjet e njohura të historisë sonë në
kohën e sundimit turk (Reformat e Tanzimatit, Këngët për vrasjen e Ali Pashës në
kohën e Lidhjes së Prizrenit) autori shpjegon rrethanat që shkaktuan rebelimet
individuale dhe kolektive e që disa herë kishin arritur deri në kryengritje. Këngët e
tilla, shton ai, kanë trajtuar në mënyrë të denjë ngjarjet historike dhe ato janë
pasqyrim i tyre, kuptohet aq sa lejon natyra e krijimeve të tilla. Me kalimin e kohës,
pra me rritjen e distancës kohore dhe me këndimin e këngëve nga këngëtarë të
viseve më të largëta, këngët e tilla kanë humbur shumë elemente të vërtetësisë
jetësore dhe janë pajisur me elemente poetike dhe përgjithësuese.

Studiues i dokeve dhe zakoneve

Interesimet e Anton Çettës nuk u kufizuan vetëm në studimin e zhanreve të


mirëfillta letrare gojore, ai shënoi dhe bëri objekt studimi edhe çështje të ndryshme
që lidhen me doket dhe zakonet, me traditën zakonore popullore lidhur me
gjakmarrjen, besën, dorëzaninë. Gjatë pajtimit të gjaqeve, dhënies së besës, besës së
thyer, prerjes së mikut në besë, gjakut të falur dhe mënyrës së vlerësimit të tij
lindën edhe kallëzime dhe pleqni të ndryshme të cilat u bënë pronë e një rrethi më
të gjerë njerëzish dhe u treguan e tregohen në raste e ndeja të ndryshme por edhe në
raste konkrete. Për këto ai shkroi disa punime dhe parathënie,8 ku argumenton
rëndësinë e tyre si krijime të prozës gojore, por njëkohësisht ndalet edhe në
shpjegimin e shkaqeve dhe rrethanave që shkaktuan lindjen dhe transmetimin e
krijimeve të tilla të cilat ishin reflektim i etnopsikologjisë, i traditës sonë të pasur
dhe të lashtë zakonore që ishte kodifikuar në kanunin e maleve e më pastaj në
kanunin e Lekë Dukagjinit, si dhe dukuri të tjera që lidhen me to.
Në studimet bashkëkohore të letërsisë gojore çështja e krijuesit gojor dhe e bartësit
apo përcjellësit zë një vend të veçantë. Këtë problematikë autori e shtron që në
punimet e para të tij, ku bën fjalë për Rifat Bajgorën. Apo Qorrin e Bajgorës9 si
bartës i këngëve tona epike, ose për Dërvish Goxhulin këngëtar dhe tregimtar
humorist, është ky punim që aktualizon edhe sot çështjen e krijuesit të mirëfillte
dhe të bartësit të krijimtarisë letrare gojore.10

7
Jehona e Tanzimatit në këngën popullore “Lufton Llapi kundër Arap Pashës” në: Kërkime
folklorike f. 177 – 193 dhe Vrasja e Mehmet Ali Pashës në Gjakovë në këngët tona popullore në:
Kërkime folklorike f. 194 – 205.
8
Shih parathëniet në vëllimet me materiale folklorike të përgatitura nga Anton Çetta, botime të
Institutit Albanologjik si dhe një numër trajtesash të botuara në Gjurmime albanologjike, folklor dhe
etnologji, Instituti Albanologjik.
9
Anton Çetta, Qorri i Bajgorës, këngëtar popullor në Kërkime folklorike f. 222 – 225.
10
Anton Çetta, Dervish Goxhuli, humorist dhe këngëtar popullor i Drenicës në Kërkime folklorike,
f. 82 – 87.
5
Prof.Anton Çetta është bashkautor i studimit Vajtime, gjamë, elegji,11 ku gjerësisht
trajtohen këto zhanre të poezisë sonë gojore, si tekste letrare dhe si krijime që
shoqërojnë ritet e caktuara të vdekjes. Në studim kërkohen elementet e ngjashme të
vajtimeve, gjamëve dhe të elegjive me këngët tona kreshnike e me baladat. Hetohet
baza e tyre e lashtë e trashëguar, e përcjellë përmes modeleve të traditës dhe
elementeve mitike, si dhe improvizimet që i nxit momenti i caktuar. Theksohen
vlerat e tyre të larta dhe të mirëfillta letrare artistike, që konkretizohen përmes
shembujsh të zgjedhur.
Prof. Anton Çetta është autor edhe i shumë punimeve të tjera të rëndësishme si:
Shtjefën Konstantin Gjeçovi,12 Nastradin Hoxha në tregimet popullore shqiptare.13
Shembuj të strofës satirike në poezinë popullore e punime të tjera) si dhe punimeve
në formë parathëniesh, që u prijnë blejve me materiale të botuara të letërsisë gojore,
ku shtrohen çështje të rëndësishme të zhanreve përkatëse14 e të tjera.
Punimet dhe studimet e Anton Çettës iniciojnë dhe ngritin çështje me interes për
letërsinë tonë gojore dhe hedhin dritën në probleme të ndryshme, duke hapur
shtigje për studime të ardhshme. Këto studime ruajnë aktualitetin e tyre edhe sot
dhe për folkloristikën shqiptare janë një themel i fortë me bazë të qëndrueshme
hulumtuese, depërtuese dhe argumentuese.

11
Anton Çetta , Anton Berisha, Mbi vajtimet shqiptare f. 7 – 76 në Vajtim, gjamë, elegji, përgatitur
nga A. Çetta dhe A. Berisha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1987.
12
A. Çetta, Shtjefën Konstantin Gjeqovi, në: Kërkime folklorike f. 124 – 136.
13
Nastradin Hoxha në tregimet popullore shqiptare dhe serbokroate në Gjurmime albanologjike,
folklor dhe etnologji, XI, 1981, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1983.
14
Anton Çetta, Parathënie në Këngë dasme I, përgatitur nga Anton Çetta dhe Anton Berisha, Instituti
Albanologjik, Prishtinë, 1980

Kumtesë e lexuar në sesionin shkencor të organizuar nga Instituti


Albanologjik i Prishtinës me rastin e 90 vjetorit të lindjes dhe 15 vjetorit të
vdekjes.

You might also like