Zbutja e njeriut- Ese filozofike

Bekim Baliqi, Ph.D
Nuk ka asgjë që të krijon më shumë dhimbje sesa njeriu. Këtë mendim e kishin filozofët, e dijetarët e ndryshëm për njeriun që nga periudha antike, e veçanërisht që nga Sofokliu e deri në periudhën e mesjetës së vonshme. Me një ton shume më optimist e vështronin njeriun mendimtarët iluminist, se asgjë nuk të bën me të lumtur sesa njeriu. Pikërisht, ky dualizëm dhe kjo diskrepance e botëkuptimit të njerëzimit për vet natyrën e njeriut, ishte frymëzuesi dhe njëherë ngacmuesi më i madh i dijetareve, artistëve e kokave më të ndritura të saj. Inspirim i cili gjeti shprehje në trajta dhe mënyra të ndryshme si në filozofi, teologji po ashtu edhe në art. Veçanërisht filozofia që kishte shprehur dashurinë e përkushtimin ndaj dijes, orvatej të sfidonte dilemën e hershme dhe vazhdueshme mbi karakterin e individit në veçanti, dhe të njeriut si qenie shoqërore në përgjithësi. Raporti i individit me shoqërinë dhe rolit të tij në shoqëri, në trajtimet e shumta filozofike e teologjike, e posaçërisht në filozofinë politike, buronin nga premisa se me çfarë sysh shihej njeriu. Polemikat etike e morale kishin jo vetëm ndikime në mendime politike por edhe pasoja në vet organizimin shoqëror e ekonomik, se këndejmi edhe në vet jetën politike. Si mendimi politik i grekeve të antikitetit ashtu edhe romak e sidomos ai mesjetar, qëndrimet dhe arsyetimin për këtë e mbështetnin ne ligjërimin mbi njeriun mëkatar. Njeriu merr pjese në pushtetin tokësor dhe domosdoshmerisht është ana e keqe dhe e errët e atij hyjnor dhe të përbotshëm e që pason vetëm pas devotshmërisë ndaj këtij autoriteti, pra me vdekje. Kështu autoriteti e pushteti politik i udhëhequr nga njeriu për të sunduar njerëzit s’mund të jetë ndryshe përpos i dhunshëm e me këtë edhe i gabueshëm. Qëllimi i politikës kështu ishte të gjendej mënyra më pak mëkatare, me pak e dhimbshme, si një e keqe e domosdoshme. Pavarësisht se si Platoni, Aristoteli e deri te Hobsi kishin propozime të ndryshme për lloje e forma më optimale qeverisjesh, perceptimi i tyre për njeriun vazhdonte të ishte thellësisht dyshues, në mos edhe antihuman. Kujtojmë për shembull, pikëpamjet e Aristotelit për skllevërit ose të Hobsit i cili pohonte se “njeriu për njeriun është ujk”, duke aluduar qartazi në egërsinë dhe pamëshirësinë e kësaj kafshe të demonizuar.

Nëse mund të përdorim alegorinë e zbutjes së kafshës së egër, prej nga edhe titulli i kësaj eseje, zbutja e njeriut para se të ndodhte në relacionin të sunduarit-sundues, ose feudbujkrob, filloi me konceptimin dhe perceptimin për vetveten. Mjafton të ndalemi te konceptimi i seksualitetit te njeriu, të qëndrimeve ndaj trupit, ndjenjave e epsheve të tij/saj. Michel Foucault dhe shumë studiues të tjerë na e sqarojnë mjaft mirë historikisht dhe në trajtim filozofik, ndarjen mentale mes mishit e shpirtit, si keq e mirë, mëkat e devotshmëri, se të kesh ndjenja e t’i përjetosh ato do të thotë të besh mëkat. Edhe kjo nuk ishte predikim vetëm nga dogmat fetare por edhe sanksionuar me dënime drakonike, jo rralle edhe me vdekje. Një këshilltari të mbretit rus Ivanit të tmerrshëm, një këshill moralizuese që i bëri atij, i kushtoj hiç më pak se me jetë, pasi që as mbretërit nuk donin e guxonin të bëheshin mëkatar, së paku jo publikisht. Edhe pse ndoshta me më pak influence religjioze, debatet politike e shoqërore nuk po i shmangen polemikave e dilemave rreth natyrës së njeriut, duke u dominuar nga përgjithësimet e njëanshme me tendenca të demonizmit apo të akuzave të renda rreth karakterit të egër të njeriut. Ndërkaq, historia na e dëshmon se liria dhe frika ashtu sikurse edhe botëkuptimet pesimiste e optimiste mbi dhe për njeriun duhet të plotësojnë e jo të përjashtojnë njëra-tjetrën. Sot, kur jemi të mbërthyer nga informatat e shpejta dhe të shumta, dhe kur jemi në fakt të mbi-lajmëruar më shumë sesa të informuar, reflektimi për veten dhe botën na mungon më shume së kurrë. Të jetosh në një epokë digjitale e globale, duket si luks i vërtetë reflektimi për çështje morale të njeriut. Duken ironike predikimet për mirësinë e njeriut, kur na shfaqen për çdo ditë në media, krimet më monstruoze dhe luftërat e përgjakshme gjithandej. Po ashtu paksa patetike debatet për këto çështje nga instancat moralizuese, të cilave jo rrallë herë ju mungon besueshmëria dhe sinqeriteti. Dhe në të gjithë këtë lëmsh hamendësimesh, me gjithë dëshpërimet apo frymëzimet, njeriu vazhdon të jete një qenie që beson dhe lufton për sisteme vlerash që i duhen ndërgjegjes dhe vetëdijes se tij njerëzore. Prandaj, zbutja e njeriut nuk ka mbaruar dhe nuk do të mbaron për aq kohe sa do të ekzistoje dilema për njeriun, e me gjasë aq sa edhe do të ekzistoj vet njerëzimi.

Sign up to vote on this title
UsefulNot useful