You are on page 1of 2

“Kërcitja e gështenjës së egër” një lojë në Guiness

Fatmir Terziu

Duke udhëtuar buzë Tamizit, gjatë një dite të zakonshme pune, unë gjuajta padashje
një kokërr gështenje të egër, që kishte rënë në trotuar aty ndanë një peme. Ishte një
goxha kokërr, e pasur në ngjyrë çokollate dhe me një lëkurë të ndritshme në formën e
saj, e mbuluar me një lëvozhgë tipike dhe me një anësi të bardhë ku spikaste jo vetëm
ngjyra por edhe forma jogjeomentrike e kësaj kokrre gështenje të egër, që ndodhet me
shumicë rrugëve dhe parqeve të Britanisë së Madhe. Për këtë pikasje timen, hyra në
mendime dhe ashtu pastaj në kërkime dhe lexime librash. Gjeta paraqitje të ndryshme,
artikuj, materiale shkencore e mjaft të ngjashme.
Gështenjat e egra janë brilante. Në Britaninë e Madhe, shkruhej në një nga këto gjetje,
“s’ka gëzim më të madh vjeshte se sa kur gështenjat e egra gjelbërojnë natyrën me
pamjen e tyre tipike dhe në tërë atë gjelbërim shpërthejnë nga frutet e tyre kokrrat që
dalin si një pasuri natyrore e rradhë.” Por ndërsa kokrra që godita unë padashje kërceu
së pari mbi një pusetë dhe pastaj nisi dancin e saj në rrugën e makinave, unë kisha
mbetur pas saj me një shikim fajësues, po aq edhe mahnitës. Më ngjajti se kisha
goditur diçka të stinës, diçka që i përkiste asaj, edhe pse s’dija shumë rreth saj.
Sakaq, vështrimit dhe tulatjes sime një fjalë disi e papritur i erdhi në ndihmë
shkundjeje. “Po, kështu ndodh edhe me mua. Qëkur kam qenë fëmijë e kam goditur
një të tillë, por isha me fat se nuk theu xhamin e një makine që kalonte aty në rrugën
kryesore… Po me një ndryshim. E di ku isha unë atëherë? Isha në një vend
Ballkanik…”
Duke gërmuar pastaj në bisedën me të gjeta atë që më gëricte më shumë idenë time
më pas për të zbuluar më shumë për fatin e këtyre gështenjave të egra. Ai, njeriu që
më foli, emrin të cilit nuk ia mësova dot se nxitoi të ngiste makinën në semafor, kishte
qenë atë kohë në kryeqytetin shqiptar, dhe i kishte ndodhur e njëjta gjë në rrugën që
lidh bulevardin qendror me Radiotelevizionin shqiptar. Kaq nuk mjaftonte, por
ndoshta ishte një katalizator në veprimet dhe kërkimet e mia.
Diku mësova se edhe fëmijët në Britani të Madhe luanin dhe koleksiononin gështenjat
e egra. Madje diku tjetër, thuhej se gështenjat e egra mbaheshin edhe për të luftuar
syrin e keq.
Përballë shtëpisë ku banoj në Londër janë dy drurë gështenjash të egra. Ata e
ndriçojnë rrugën si abazhur në muajin Maj dhe e mbulojnë atë me lëvozhga dhe
kokrra gështenjash të egra në muajin Tetor. Zakonisht, në këtë kohë ata gjenden me
shumicë anës rrugës dhe shumë prej tyre gjenden të dërmuara nga gomat e makinave.
Por jo këtë vit. Asnjë kokërr. Të gjithë gështenjat e egra të kësaj lagjeje janë me pak
kokrra. “Gjithashtu të gjitha simotrat e tyre në Britani janë me pak kokrra dhe
Kampionati Botëror i Gështenjave të Egra që zhvillohet në Northamptonshire është
vënë këtë vit në krizë”, shkruan një gazetë e kësaj zone.
Në një lexim tjetër pastaj mësova se “së paku rreth 40 për qind të 11 mijë e 100
rrënjëve të gështenjave të egra janë duke u dëmtuar nga një bakterie që han lëkurrën e
trungut të tyre që shkakton sëmundjen e lëng-rrjedhjes së gështenjave të egra”. Sipas
këtij shkrimi kjo sëmundje është më e përhapur në Jug të vendit, por ka ndodhur edhe
në veri sa që është shfaqur edhe në Newcastle. Gjithashtu gështenjën e egër kanë
filluar ta dëmtojnë edhe fluturat që konsumojnë gjethet e tyre. Krimbat e tyre futen
nëpër gjethe dhe shkaktojnë tek ta ndryshimin e ngjyrës në kafe dhe shpejtojnë
rrënien e tyre që në muajin Gusht. Kjo krijesë dëmtuese ka ardhur në Britani nga
Ballkani, duke shpenzuar 400 vjet të sakatojë gështenjën e egër përreth kontinentit.
Fluturat janë specie të përhapura në Greqi, Turqi, Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri.
Turqit e quajtën këtë pemë “gështenjë kali”, sepse ata menduan se kuajt që hanin
kokrrat e tyre do të shëroheshin nga ndrydhjet dhe enjtjet. Por shkenca moderne thotë
se gështenjat e egra janë pak helmuese dhe më mirë që të mos hahen, deri sa
shkencëtarët gjermanë zbuluan një lëng brenda tyre të quajtur “aescin” që është i
mrekullueshëm për të shëruar ato që turqit i dinin me kohë për kuajt e tyre.
Gështenjat e egra për herë të parë, mësova pastaj nga kërkimet e mia, u mbodhën në
oborret e shtëpive të të pasurve në fundin e shekullit të 16-të. Loja me gështenjat e
egra është regjistruar vonë në vitin 1848 në ishullin e Wight. Madje kjo lojë ka edhe
një rekord të shënuar në librin Gines që daton vitin 1954 ku rezulton se një kokërr
gështenjë e egër ishte aq e fortë sa theu pastaj rreth 5000 kokrra të tjera gjatë
përplasjes së saj me to.
Por çfarëdo lloj të jetë loja me gështenjat e egra, këtu ku unë jetoj sot, ajo për mua
është një lojë që i takon fëmijërisë sime, aty afër Namazgjasë në Elbasan, kur ne
bashkëmoshatarët e asaj kohe kur ishim vetëm 6-7 vjeçarë grindeshim të mblidhnim
sa më shumë kokrra nga dy pemë të tilla. Ata më pas u prenë se aty do të ndërtohej
një Pallat Sporti, por që nuk u ndërtua kurrë.