You are on page 1of 3

Kur kërkojmë “Tjetrin” në letërsi dhe e kemi mes nesh

(Një bisedë që sjell Roland Gjozajn në bisedë)

Fatmir Terziu

Atë ditë binte shi. Me gazetarin e shquar shqiptar, Hasan M. Shahinaj, rrëkëllenim
kafenë e mëngjesit. Ishte një mëngjes i rastësishëm. E rastësishme ishte edhe kafeja
me njeriun e talentuar, autor i disa vëllimeve me tregime, poezi dhe publiçistikë.
Autor i “Gurët e Skënderbeut’’, ’’Vajkali- vaji i kuajve”, ’’Pelë a dhi- peladhija”,
’’Sfetigradi, kryekështjella e paepur...” etj. I ratsësishëm ishte pastaj edhe muhabeti.
Ai shkrumbohej nën risi gjethesh që mbushnin parmakët e oborrin e lokalit me aromë
deti vjeshtak. Por çuditërisht gjethet ishin ndryshe në oborrin e lokalit në Shkozet.
Ishin shumëngjyrëshe. Veprimi i tyre dukej monoton. Binin si me urdhër. Zhvishej
pema nën syrin tonë! Stërkalat e shiut pastaj thyheshin si me dënesë nën qelq. Dhe
pas qelqit, dihama jonë e shqipëruar nën fjalë lakonte kinemanë, letërsinë,
publiçistikën e njerëzit e saj. Emra të shumtë zbrazeshin nga ky lakim dashamirës. E
në këtë paradë fjalësh ndalesa të shumta mbi emra të ndryshëm bënin stacionime të
nevojshme. Ishin stacione për Esat Musliun, pastaj disa ndalesa të arsyeshme për
Roland Gjozën…
“Skenarist, prozator, poet, …”- shton njeriu i letrave.
Unë tund kokën dhe veshët i mpreh aq shumë sa më duhet të perfeksionoj në detaj ato
fjalë që shpreh Shahinaj. Janë fjalë që më tërheqin. Më flet për emra konkretë, për
emra që lidhen me këtë emër të mrekullueshëm të penave shqipe. A nuk kërkohet prej
kohësh në letrat shqipe ‘Tjetri’? Dhe “Tjetri” ekziston. Është mes nesh! Është mes
nesh dhe ne e harrojmë. Është në këtë listë të madhe që nis me dhjetra krijime të
mëparshme në mjaft fusha e udhëton tek filmi “Rrethi i Kujtesës” (1987) mes emrave
që lidhen në një rrjesht të gjatë arti, Esat Musliu, Roland Gjoza, Thimi Filipi, Ermira
Gjata, Marieta Ljarja, Rikard Ljarja, Agim Qirjaqi, Stavri Shkurti , Ilia Shyti,
Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani. “Rrethi i Kujtesës” është vetëm sa për të zgjuar
kujtesën se vargu është i madh…
“Por, Gjozaj është një emër i spikatur në të gjitha trevat shqiptare në mjaft lëmi të
krijimtarisë”- shtohet në bisedë.
“Ai tashmë lexohet më lehtë edhe në hapësirën internetike, dhe vjen më i plotë. Unë e
kam lexuar tek blogspoti i krijuar nga njeriu i letrave Kolec Traboini për të. Një ditë
ma dërgoi djali i një miku tim nga Struga dhe pastaj në një darkë në Llabunisht të
Strugës më treguan shkrimet e tij në internet…”- shtoi shkrimtari Hasan Shahinaj.
“Ja”,- më thotë, - “shiko këto printime”. Ishin vërtet printime nga interneti. Nga
blogspoti i krijuar me dashamirësi nga Traboini. Aty lexova: “ROLAND GJOZA -
mjeshtër i fjalës e lirik i spikatur.” Dhe kjo nën siglën e talentit Traboini e bënte edhe
më të bukur bisedën pas qelqit me simfoni stërkalash shiu dhe vallzim gjethesh
vjeshtuke aty ndanë lokalit që sillte jodin e Adriatikut. E nga aty sillja ndërmend
kokrizat digjitale të internetit që e sillni aq lehtë Gjozajn në çdo skaj. Traboini
shkruan: “Roland Gjoza është mjaft i njohur në rrethet artistike në Tiranë e Prishtinë,
nder lexuesit e letërsisë dhe amatoret e filmit. Ai është poet lirik, prozator me një stil
të veçantë dhe skenarist filmi. Që në vitet e hershme te gjimnazit ai dallohej për
talentin e rallë si poet. Në moshën 18 vjeçare botoi librin e parë“Mozaik”, një vëllim
lirik që la mbresa në qarqet letrare të kohës për ndjenjat e holla e të brishta, si dhe
imazhet e freskëta poetike që sillte. Pas mbarimit të Fakultetit Gjuhë-Letërsi, u
emerua mësues në Pukë. Jeta si mësues në një rreth të vështirë të Veriut të Shqipërisë,
ku ashpërsisë së natyrës i shtohej dhe varfëria e tejskajshme e malësorëve, e
frymëzuan në krijimin e tregimeve dhe novelave mjaft realiste.
Pas disa vitesh në Veri, kaloi skenarist filmi artistik në Kinostudio, Tiranë, ku do të
kishte një veprimtari të gjatë e të frytëshme. Disa nga filmat ku ai është skenarist, janë
çmuar në festivalet dhe konkurset kombëtare. Filmi dokumentar “Të zhdukurit” me
skenar të R.Gjozes, është nderuar me çmim të parë në Vashington. Eshtë autor i rreth
20 librave të gjinive të ndryshme, romane, tregime e novela dhe poezi. Në vitin 2006
ka botuar e në Tiranë vëllimin poetik “Bukë e verë” dhe në Prishtinë librin me tregime
“Nord Mort”.
Proza në librin "Nord Mort" ka plot karaktere, situata e skena befasuese që të futin në
një botë sa konkrete, aq surrealiste. Në terë tregimet ka një stil të veçantë dhe modern.
Realiteti me fantazine nuk dihen ku fillojnë e ku mbarojnë, ku bashkohen e ku
ndahen, ato janë emocionuese e tronditëse e të lenë mbresa të pashlyeshme. Nje tjetër
dimension të shfaq poezia në librin"Bukë dhe Vere". Poezia e Roland Gjozes është
perjetimi i thellë, shpirti i tij është pasqyra ku reflekton jeta me të tera dritë hijet e
veta. Që nga mbresat intime në vite të shkuara kur jeta rridhte e qete deri ne
mosdukje, e në vazhdim, në kohën e çmendur ku permbysjet sociale sollën
shpërftyrimin e njeriut, koh kur dominoi dhuna, perversiteti dhe ligësitë njerëzore
shperthyen duke krijuar panik e kaos. Mjerisht, koha jonë në shumë kuptime u
shpërftyrua. Poetët që i përkasin një hapsire e një drite hyjnore, por që në ferrin e të
gjalleve quhet mallkim, të shituar nga Zana pra, gjithësesi shpirtin nuk ua shiten
djallit e as u ka vdekur kurrë, se fryma krijuese mbijeton, ketë e tregojnë edhe lirikat e
thella, perjetimet emocionale e mendimet filosofike që e përshkojnë tej e mbanë librin
e Roland Gjozes, ofruar për admiruesit e poezise, si në tryezë Krishti u ofronte
dishepujve, “Bukë dhe verë”. Poeti e prozatori Roland Gjoza ka disa vite që jeton
familjarisht në Nju Jork.”
Ndërsa lexoja letrën e printuar me siglën e Traboinit, sillja sërrish para syve të mi atë
distancë gjeografike që zvogëlohej e zvogëlohej në bisedën tone duke e prurë Roland
Gjozajn nga Nju Jorku në atë sallë të vogël klubi, në atë sallë që ka nevojë për fjalën
rreth tij, për pozinë e tij, prozën e tij, se me thënë të vërtetën edhe ato salla të vogla
janë fryrë nga bisedat për politikë e politikanë, për ata që mbinë si vemje për të
harruar “Tjetrin” dhe e detyruan të marrë torbën e ‘shkretëtirave letrare’ ashtu siç vetë
Gjozaj shprehet diku në shkrimet e tij.
Roland Gjoza ishte tashmë në tryezë me ne. Në bisedën tonë ai nuk ishte prezent, se
edhe kur është ai është i tillë, fjalëpak, modest, i kursyer, dëgjues dhe vlerësues. A nuk
është i tillë ai në fjalët e tij lapidare tek esetë e krijuara në vite? Ai e sjedh jetën e të
tjerëve me tone të larta, me penelata të zjarrta. Shkruan për të gjithë që ai njeh,
shkruan me zemër dhe mendje. Dora është një instrument në shërbim të filozofisë së
tij. Këtë e kanë diktuar shkrimtarët Ismail Kadare, Pëllumb Kulla, Lazër Stani, Faruk
Myrtaj, Ndue Lazri, Vahid Hyzoti e mjaft të tjerë teksa e kanë thënë hapur se ai është
modeli i esesë së sotme shqiptare. Është i tillë, ashtu sic e thotë dhe e pikas edhe
Dismondy si një eseist që sjedh jetiken dhe realen jashtë bezdisjeve historike.
Pra ja “Tjetri”. I kompletuar dhe model i letërsisë shqipe. Përse heshtet nga instancat
përkatëse? Përse heshtin ata që ende shpresojnë se dosjet zyrtare janë profesioni i
tyre? Përse hesht Kultura zyrtare shqiptare? Gjoza është një penë që duhet vlerësuar.
Këtë duhet ta thotë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Këtë duhet ta ketë
parasysh edhe gjithkush që e do pakëz krijimtarinë dhe jetesën e saj. Talentë si Gjoza
vijnë nga skutat e severgjenta shqiptare për t’u dëshmuar brezave dhe historisë. Është
dëshira dhe detyra jonë historike që ti vëmë në piedestalin e tyre. Detyrë apo
detyrim?! Unë do të mjaftohesha se “Të tjerët” është mes nesh, e kemi ditur dhe kemi
heshtur…