You are on page 1of 4

Lexo!

Fjala e parë në kushtetutën dhe librin e Tij, i cili zbriti nga Zoti (xh.sh) është "Lexo",
por kjo është një antitezë e çuditshme!

Nga: Halid Ibn Fehd El-Behlali

Njerëzit duhet të shkruajnë, me qëllim që të nxisin umetin për të lexuar. Umeti ka shumë
nevojë për formim kulturor, në nivelin individual dhe në nivelin kolektiv. Prej mjeteve më të
shfaqura në këtë drejtim është leximi i frytshëm. Ajo i ndërton popujt dhe i ngritë ata, i bën
më rezistues ndaj kulturës së huaj, kurse umeti lexues, bëhet më me ndikim tek të tjerët.
Leximi i gjerë është shfletimi i lloj-llojshëm. Përcjellja e botimeve të reja, e ngjall oreksin për
të shfletuar çdo të re.

Një autor amerikan, Ilf Stokman thotë: "Sa më shumë që zmadhohet ishulli i njohjes, aq më
shumë shtohet zgjerimi i bregdetit të sekreteve."
Me lexim njeriu i shkurton hapësirat, përfiton nga përvojat e të tjerëve, i lartësohet mendimi, i
mprihet mendja, i shpejtohet perceptimi, i zgjerohet diapazoni, i pasurohet njohuria, i shtohet
kultura, i zmadhohet ambicia, i përmirësohet mendimi, i kalitet personaliteti, i përqendrohet
gjuha, e shfrytëzon kohën, i shtohen argumentet, i forcohen faktet, i lartësohet pozita dhe i
njihen meritat.

Një studiues thotë: "Një specialist bashkëkohor duhet të llogarisë se 10-20% të informatave të
tij janë vjetruar dhe ato duhen ripërtërirë ato."
Edhe kulturat e përjetojnë pleqërimin nëse ato nuk kaliten dhe nëse nuk ripërtërihen me
shfletim, permanent dhe përcjellje të të rejave dhe të dobishmes, që mos të dobësohet njohja
e deponuar që e kemi në trurin tonë. Njeriu duke vazhduar në lexim dhe shfletim të lirë ngjitet
në shkallët e kuptimit, perceptimit, kaplimit dhe njohjes.

Salihu, i biri i Imam Ahmedit (r.a) tregon:

-Një njeri e pa babain tim me një shishe me bojë në njërën dorë dhe penën në tjetrën, e i tha:
Ebu Abdull-llah, ti ke arritur këtë gradë, je imam i muslimanëve? Iu përgjigj:
-"Në këtë gjendje do të mbetem deri në varr!..."
Burimet e informatave dhe mjetet e shtimit të dijes janë të shumta, mirëpo më i miri dhe baza
është libri, i cili është miku dhe shoqëruesi më i mirë dhe është më i liri, nëse krahasohet me
mjetet e tjera.
Sa bukur e përshkruan Ahmed Sheukiu librin duke thënë:

Ndërrova librin me miqtë,


Mirëpo nuk gjeta besnik si libri, askënd...
Mik, te i cili është e barabartë çdo gjë e qortove ose nuk e qortove,
Është ai, i cili nuk i gjen të metë mikut të vet!
Çdo herë që e vjetroj, më ripërtërinë,
Më zbukuron me rroba të vlerës dhe dijes.
Mik, për të cilin asnjëherë nuk kam dyshuar.
E vetmja dashuri e cila nuk më ka kushtuar qortim,
Nëse ndonjë natë harrohem në shfletim,
Ai vazhdon heshtjen dhe mirësinë.
Nëse më sheh duke folur ose mërzitem,
I mbledh tregimet përnjëherë.
Librat, kur t`i shikosh me kritikë,
I gjen sikurse miqtë, të vërtetë dhe gënjeshtarë.
I zgjedh ato sikurse mikun.
Zgjedh nga miqtë dhe librat bërthamën!
Miku i mirë kërkon që të jesh i devotshëm,
Kurse libri i mirë kërkon që të jesh i qëlluar!

1- Fillimi zakonisht është i rëndë, e pjesa më e egër është etapa e parë, ndoshta nga shkaku i
vështirësisë së saj është edhe dobësia e rezultateve të saja, sepse rezultatet nuk përballen me
mundin e dhënë. Ai që merret me vrapim në vazhdimësi, fiton aftësi dhe shkathtësi. Poashtu
edhe leximi ka nevojë për stërvitje dhe vazhdimësi, derisa lexuesi të fitojë aftësinë e mjaftuar,
duke krijuar edukatë të leximit të këndshëm.
2- Prej gjërave që të shtyjnë në lexim është posedimi i një librarie të përshtatshme shtëpiake,
e cila përmbledh libra të rinj e të dobishëm, nga të gjitha sferat e dijes. Pastaj duhet
përcaktuar një kohë për të shfletuar raftet e librave dhe duke i`a dhënë hakun që e meriton.
3- Secili njeri ndikohet nga shoqëruesi i tij pa vetëdije. Ai që shoqërohet me njerëz të thjeshtë
dhe pleq, prej tyre fiton shumë gjëra nga përvoja, ai që shoqërohet me intelektualë dhe
mendimtarë, nuk është i barabartë me atë që shërohet në masën e gjerë. Andaj njeriu, duhet
zgjedhur për vetveten, ata që i bëjnë dobi dhe ia shtojnë dijen. Le të kujdeset të bëjë lidhje të
miqve të librit, duke caktuar një ndejë të veçantë ku do të shpalosin atë që kanë lexuar dhe të
përcjellin gjërat e reja.
4- Njerëzit zakonisht kanë shumë kohë të lirë. Sikur ta shfrytëzojnë këtë kohë me lexim të
dobishëm, do të ankoheshin nga koha e ngushtë, e nuk do të mërziteshin e as nuk do t`i
mërzitnin të tjerët. Të parët tanë të devotshëm janë ankuar nga vjedhësit e kohës, të cilët nuk
bëjnë asgjë tjetër përveç se e humbin kohën në gjëra të pavlera dhe të ulëta.
5- Nuk preferohet leximi dhe nuk i jep frytet e veta, përveç se në momente kur mendja është
e kthjelluar dhe e gjallë, atëherë kur nuk është e preokupuar me angazhime, është i qetë dhe
nuk është nën ndikim të streseve.
6- Preferohet që t`i ketë afër dorës fjalorët dhe leksionet e ndryshme, në mënyrë që mos të
ndërpritet leximi, kur të ketë nevojë, mund të shfletojë fjalorin për ndonjë fjalë të panjohur
ose të paqartë.
7- Nuk duhet shikuar sasinë e të lexuarës, por rezultatin dhe frytin e vjelur nga leximi dhe
shfletimi. Kjo duhet të shfaqet në moralin, sjelljen, gjuhën dhe shprehjet, të cilat ia
përshkruajnë gradën dhe ia përcaktojnë formën e kulturës së tij. Ai që vepron sipas asaj që e
përfiton, bën që dija të mbetet dhe të ngulitet më fuqishëm në mendjen e tij.
All-llahu (xh.sh) thotë: "Po sikur të zbatonin atë që këshilloheshin do të ishte më mirë për ta
dhe do t`i përforconte më shumë." ( )
Ai që vepron me atë që e di, All-llahu (xh.sh) i dhuron dijen e asaj që nuk e di. All-llahu
(xh.sh) thotë:
"Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre u shton edhe më udhëzimin në rrugën e drejtë
dhe u ofron mundësi të jenë edhe më të devotshëm." ( )
Ibn Kethiri (Zoti e mëshiroftë) thotë: "Ata që kanë pasur synim udhëzimin, All-llahu i udhëzon
kah udhëzimi, u jep sukses në këtë synim, ua përforcon këtë udhëzim dhe ua shton atë."
8- Ai që lexon një libër, duhet ketë me vete lapës, me të cilin shënon mendimet interesante të
librit ose i regjistron në ndonjë vend të caktuar, të cilat mund t`i shfletojë kur të dëshirojë.
9- Ai që dëshiron të vlerësojë ndonjë libër, le ta lexojë hyrjen e autorit, nëpërmjet së cilës
mundet të gjykojë metodën e autorit, kualitetin e shprehjeve dhe forcën artistike që e kanë
ato. Nëpërmjet hyrjes e kupton se ky libër është pishtar në këtë lëmi, është replikë ndaj
dikujt, është shtesë e ndonjë teme të përpunuar më herët, është sqarim i ndonjë çështjeje të
caktuar ose është pjesëmarrje në zgjedhje të ndonjë çështjeje në hapësirën e kulturës etj. Le
ta lexojë edhe përmbajtjen e librit, që ta shohë planin e plotë të librit, unitetin tematik të
lëndës. Le të shfletojë referencat e librit, në të cilat është mbështetur autori gjatë përpilimit të
librit, gjë me të cilën e zbulon prapavijën kulturore dhe ideologjike të autorit, të cilat paraqesin
animin e tij shkencor pa dyshim se leximi i shumtë dhe vazhdimësia në lexim krijojnë te njeriu
forcë nëpërmjet së cilës e njeh librin e dobishëm për të, dhe është pikënisje e madhe në lexim
dhe i garanton përfundim të shpejtë.
10- Lexuesi medoemos duhet të zgjerojë leximin e tij. leximi i tij nuk duhet të jetë selektiv në
një rrafsh të caktuar shkencorë, por duhet të jetë i gjerë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim që ta
çlirojë mendimin e tij nga kufizimet medhhebore, partiake, rajonale, etj.; mos të mbetet i
lidhur për diçka që ia frenon pikënisjen. I vetëdijshëm për dijet që i duhen muslimanit të
sotëm, që të jetojë me kualitete, aktivitet dhe që të ketë mundësi të përballet me sfidat
ekzistente.
11- Libraritë duhet të posedojnë libra të shumtë dhe të lloj-llojshëm, duke filluar nga librat
bazë, referencat e përgjithshme, enciklopeditë e ndryshme, fjalorët, tekstet, komentet e
ndryshme, librat e veçantë për specializim, librat ideologjik, për kulturë të gjërë, divanet me
poezi, romanet botërore, etj.
12- Shumë njerëz lexojnë, mirëpo në mënyrë sterile. Ata nuk lexojnë me lexim dhe skajim të
logjikës, por lexojnë me logjikë kritikuese të veçantë, duke detyruar logjikën që të polemizojë
në çdo gjë, qoftë e madhe apo e vogël. Leximi kritik është stërvitje shumë e madhe.
13- Lexuesi nuk duhet ta mohojë natyrën dhe animet e tij natyrore, duhet të ketë personalitet
të pavarur dhe të jetë larg ndikimit të shpejtë nga të tjerët.
14- Le të sigurohet lexuesi se sa më shumë që të lexojë dhe të shfletojë, aq më shumë do ta
shtojë kuptimin dhe pjekurinë.
15- Le të jetë preokupimi i lexuesit, që në fund të secilit libër që e ka lexuar të japë një
vlerësim preciz mbi librin, duke e përmendur edhe kohën e përfundimit të leximit.
Në fund do t`ju paraqes edhe disa raste nga jeta e të parëve të devotshëm, që flasin për
kujdesin dhe interesin e madh që kanë pasur për lexim.
Ibn Xhevziu thotë: "Rruga e atij që kërkon përsosjen është shfletimi dhe leximi në librat që
kanë mbetur, le të shfletojë sa më shumë, sepse në këtë mënyrë mëson dijen e tyre dhe
ambiciet e larta që i kanë poseduar. Gjë që ia shton vullnetin, ia ngjall mendjen, sepse në
fund, asnjë libër nuk është pa dobi. Unë u tregoj për gjendjen time. Nuk ngopem nga shfletimi
dhe leximi i librave! Nëse shoh ndonjë libër që nuk e kam parë më herët, më duket sikurse
kam rënë në një thesar. Kam shikuar listën e librave që gjendeshin në shkollën "Nizamije", aty
ishin 6`000 vëllime! N.q.s them: Kam shfletuar dhe lexuar 20`000 vëllime, ndoshta numri i
tyre është edhe më i madh..., e unë akoma jam në kërkim të dijes. Shumë kam përfituar nga
leximi i tyre. Kam vërejtur jetë përshkrimin e tyre, sasinë e vullnetit, kujtesën dhe adhurimin e
tyre. Kam vërejtur dijen e tyre të çuditshme, gjëra të cilat nuk mund t`i mësojë ai që nuk
shfleton."
Hatib Bagdadiu tregon: "Disa nxënës të dijes pyetën një dijetar:
-A nuk ndihesh i vetmuar?
Tha:
-A ndihet i vetmuar ai që mbarë njerëzimi është me të?!
I thanë:
-Cilët njerëz?
Tha:
-Librat!"
Hatib Bagdadiu thotë: "Libri, përveç dobive të përgjithshme dhe vlerave të mëdha që ka, ai
është i ndershëm, dhe në të është bukuria më e çmueshme. Libri është miku më i sigurtë,
shoqëruesi më i gëzueshëm, shoku më i pastër dhe dijetari më orator."
Abdull-llah in Mubareku (r.a) thotë: "Kush dëshiron që të përfitojë, le të lexojë librat e vet."
Një njeriut të mirë i thanë:
-"Kush të shoqëron?
-Ura e librave!- tha.
I thanë:
-Prej njerëzve?
-Tha: Ata që janë brenda në to."
Ibn Halekani tregon: Ebi Hasen el-Kali, i cili ishte muhadith dhe edib, kishte një kopje të mirë
të librit: "El-xhemhere" të ibn Dridit, nga varfëria e madhe u detyrua që ta shiste këtë libër.
Para se ta shiste, në një faqe të tij, shkroi disa rreshta poezi:
Jam shoqëruar me të njëzet vjet, e tani po e shes!...
U mërzita dhe u brengosa pa masë
Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se do ta shes!...
Mirëpo borxhet më futën përpjetë në burg
Nga shkaku i dobësisë, varfërisë, fëmijëve
Për shkak të kalamajve... për t`i lehtësuar punët e mia.

Pastaj e shiti librin. Librin e bleu sherif Murtedai për gjashtëdhjetë dinarë. Kur e shfletoi ai
këtë libër e lexoi këtë poezi të mërzitur. Pastaj i`a ktheu librin Ebu Hasan el-Kaliut dhe ia la
paratë.

Mirsad Sylja