You are on page 1of 62

3

Çdo kopje origjinale nënshkruhet nga autori ..........................................

Spiro, Aristotel NË FESTËN EROTIKE, poezi, ARISTOTEL SPIRO Kopertina: Puthja, GUSTAV KLIMT (1862-1918) Përgatiti për botim STEFAN MARTIKO Botimi i parë: 2001 64 f. 145 x 210 ISBN 960-86780-3-X

Përgatiti për botim STEFAN MARTIKO

Pronë letrare ©

2001 Aristotel Spiro 4 Agiou Konstantinou Street, 10431 Athens Greece / Fax: 003015228911 E-mail: aristotelspiro@yahoo.com

Asnjë pjesë e këtij libri nuk mund të kopjohet, të riprodhohet, të përshtatet apo të shumëfishohet në çfarëdo forme e me çfarëdo mjeti pa leje të mëparshme me shkrim nga ana e autorit. Çdo kundërvajtje ndiqet penalisht në bazë të legjislacionit shqiptar dhe ndërkombëtar në fuqi.

Shtypur në Greqi

Printed in Greece

4

Poezi

5

6

DASHURI E PATHËNË
Dashuri e pathënë më mbajti pranë jush në çdo çast, paçka se nuk dinim që rrinim të heshtur më kot prapa hekurave të njohjes. Dashuri e pathënë më mban një jetë pranë jush duke shpërfillur ngulmueshëm barrierat e prezantimeve. Dashuri e pathënë, fjalë si ëndrra, ndërthurur me dhimbje, që mësojnë thjesht botën më të vështirë e më të thyeshme në fytyrën e unit të ty-së dhe në trajtën e ne-së.

7

NË FESTËN EROTIKE
Sot rri heshtur para teje duke përmbajtur lotët në abysin e mendimeve, me barrën e fajit mbi supe, që çdo ditë të dashurova ndryshe; vazhdimisht transformoja veten duke ikur nga ai çast i vetës sime të parë. Vij i ndryshuar në festën tonë erotike, me dhelka e galope dhe psherëtima kandjeje. Bëhem dinak pa e dashur,

8

bëhem dikush tjetër pa e kuptuar, dikush që s’e njeh dhe as e njoh. Çdo herë më tradhton dhe nuk e di, gjersa gjithmonë tek unë njeh vetëm mua. Çdo herë të tradhtoj padashur, gjersa gjithmonë tek ti njoh vetëm ty.

9

PREMTIM
Vazhdimisht e ke pritur duke menduar se ishte larg teje, pa e ditur se e bartja me vete; thjesht nuk mundje ta shihje përtej xhunglës së xhelozisë sime, çasteve të errëta të dyshimeve. Një poemë të pafund për ty, sa ditët që bashkë jetuam dhe nuk i jetuam, çastet e shkuara e të ardhme, çast të së tashmes nuk ka, e tashmja quhet e vërtetë, e pamundur dhe e pashprehur me fjalë e me fraza. Dhe unë po prisja atë çast të lindjes së fjalës për t’u çliruar nga përgjegjësia e së pathënës, të vij para teje

10

me këngën tënde të dashur, me të vërtetën në duar, një foshnje të pafajshme, që mbrojtje kërkon. Një këngë për ty, një pasion i thellë, që u deshën vite për ta ngritur, të shoh trajtën tënde, të pandryshueshmen, si ato ditë që rastësisht u takuam dhe të identifikova me gruan time. Por nuk ishte e vështirë për ta besuar. Ti erdhe bashkë me vështrimin tim, bashkë me veten tënde që e kisha përbrenda; ia dhe fytyrën vajzës së patrajtë që bartja me vete.

11

Një poemë për ty është një premtim se gjithmonë të kam dashuruar dhe të dashuroj. Një poemë për ty është e thjeshtë si dashuria ime, e vërtetë, si vështrimi i Alkeos, që dallon pamëshirshëm të Mirën nga e Keqja. Një poemë për ty do të na mbrojë nga e liga, kjo poemë është një shenjë për ditët e bukura që ende s’i jetuam, për kthjelltësinë e poezive që shkruam, për botën tonë që mund ta shpëtojmë.

12

MERRMË!
Merrma gojën, merrma trupin dhe flake në pasionin e detit. Jepma valën dhe më çliro, bëmë tëndin, të vërtetë. Më bëj copë e çikë, para se të mbërrij fatalisht tek dallgëthyesi...

13

PA QENË TË DY
Ditë të tëra pranë njëri-tjetrit. Çaste si re të bardha, vise parajsore e të paharruara, qiej dhe dete të panjohur, lumenj dhe lugina biblike, shpezë dhe bisha ekzotike, prerje në drita dhe hije. Dëgjuam nyjëtime të çuditshme, regjistruam tinguj të vështirë, shkruam ditarë me kujtime. Pamë buzëqeshje ëndërrore, zemra këngëtare dhe vajtuese. U ulëm në të njëjtën tryezë;

14

pjatat na vështronin të habitura me sy të mëdhenj si të gdhendur; vështrimi poshtë kokës së ulur s’guxonte të kthehej kundruall. Pastaj ikëm pa qenë kurrë së bashku të dy; prapa nuk lamë asnjë fjalë, asnjë shpresë. Lamë vetëm një vakum të pafund përtej humnerës së frikshme të dhimbjes.

15

MANEKINËT
I zhveshën manekinët. Të gjitha gjymtyrët rrasur çrregullsisht, me zhgënjimin e shndritjes së rreme të lavdisë së kotë të rrobave, sepse kurrë nuk i lanë të jetojnë përtej vitrinave flakëruese. Tani nisën kryengritjen, kërkojnë të gjejnë pak lot, që të mund të qeshin pastaj, një melodi të këndojnë.

16

Kërkojnë me ngulm, mundimshëm, që të gjejnë një mënyrë për të bërë pak seks, sepse kriminalisht e pa të drejtë i kanë lënë pa organet e tyre gjenitale… Prandaj qajnë e qajnë pareshtur për magjinë e kandjes, që kurrë s’e shijuan.

17

IDENTITET
Datëlindje:… Vendlindje: … Atësi: … Amësi: … Kjo nuk qenka biografia ime. Ai njeri nuk jam unë. Dikush tjetër do të jetë që brenda meje ka hyrë dinakërisht dhe gjithë i del para identitetit tim në itineraret e pashkelura për tek bashkëkohësit. Çdo ditë unë lind, përditë ndërroj banesë, mërgoj ndër veta të tjera të paidentifikuara.

18

Numrat krejt janë fshirë pika referimi më nuk ekzistojnë. Iu rebelova hapësirës dhe kohës, që gjithë ma burgosin qenien nëpër llagëme statistikash. I mbylla valixhet, i flaka kravatat, u nisa me vrik së toku me erërat. Po instalohem përfundimisht në visoren e ndritshme të buzëqeshjes, ku masë hapësire dhe kohe është zemra jote.

19

SI TË TË BESOJ
O gjumi im, o hajduti im maniak dhe i dashur. Që përnatë më merr dhe përditë më lë të ngujuar në terrin e pushtetit tënd. Që më çon larg dhe përditë më lë ndër vise piktoreske parajsore, ndër ferre të frikshme endacake.

20

O gjumi im, o hajduti dhe mësuesi im, që përnatë më vjedh me ngulm e përdëllim lodhjen e përditshme. O gjumi im, o gjumi im, gjykuesi im i fshehtë. Si të të besoj atë çast që do të vish me mantelin e vdekjes?

21

«ËNDËRR»
Ah, sikur të mundja këtë çast ta bëj timin. Që askush të mos e ketë, që askush të mos e dijë. Ia hoqa vështrimet, cepin e rrugës, pemën vetmuese, zhurmën e urbanit, renë vrapuese, dallëndyshet, trotuarin, fasadat…

22

Të largova dhe ty… Vrava, rrënova, rrafshova. Dhe mbeti vetëm lakuriqësia e mendimit tim. Dhe unë në një sfond visoreje të zbrazët duke qarë me ëndrrën e çastit virgjin.

23

VETMI
Kam mbetur vetëm brenda qilarit të zi të natës. Heshtjen po mbaj si dhuratë të kotë nëpër duar. Dhe përsiat verbërisht absurditete, si radio e harruar, që luan në terr ca muzika të panjohura e të lodhura, që nata monotonisht i përtyp me dhëmbët e kalbur.

24

VJEDHJE
Natën varrin më vodhën. Nuk paskam më mbulojë prej balte. Tash jam i lirë për mërgime të makthshme. Pareshtur më bujtin net të pasosura. Dhe unë nuk ditkam cilën syresh të zgjedh.

25

PËRRALLË
Alkeos

Nata e zezë ka vetëm yje pa pasur qiell. Dita po vjen dhe yjet largon për të na sjellë qiellin.

26

DITAR I EPOKËS SË GURIT
Do iki tutje në liqenin e paanë për të parë veten time të egër. Vetëm kam frikë kur veten të shoh, nuk e di: do shqyhem së qeshuri a do çirrem nga gjama.

27

VEGIM ARDHMËRIE
Kujtimet e së ardhmes bujtur gëzueshëm në të tashmen inekzistente, virtualisht ngjyrosur me ngjyrat e panjohura, fiksuar në lojën lëvizëse të çasteve. Një ritual i papërsëritshëm, thirrje ngazëlluese, jehona kohore e qenies sime, padurimi për të qenë i pavdekshëm dhe një ndjenjë egoiste për pafajësi. Duke këmbëngulur për të qenë i paanshëm,

28

i dashuruar prej të gjithësh, brezash të njohur e të panjohur, me tiraninë e makthit, krijues i një feje të re, që nuk kërkon idhtarë, megjithëse prej të gjithësh adhuruar; ajo që projekton veten tonë në një përmasë të ardhme, përthyer nga përvoja në një aksonometri transparente, ku planet shkrihen në një dhe skema ngjan me realen.

29

SKLLEVËR TË FATIT
Nuk jemi ne ata që ekzistojnë, por ca qenie të ndryshme të huazuara prej vetes sonë të fshehtë të panjohur, që gjendet poshtë nesh, ndër zgafellat e fatit tonë dhe na dhunon nga çasti në çast me apokalipsin. Dhe le ta kemi të qartë se nuk ka më për ne mrekulli.

30

TANI
Tani që kam vdekur, do ta besosh sa shumë të kam dashur. Do të kuptosh gjithë sa të kam thënë, që kurrkush tjetër të mos mund të flijohet në altarin e përgjakur të së vërtetës.

31

KUJTIME
I koleksionova të gjitha, i palosa me përdëllim njërën mbi tjetrën dhe i shtiva thellë në një vend të fshehtë, atje ku nuk arrin mendja dhe zemra. Sepse rrinë gjithmonë pas dritës së vështrimit të tyre. Jeta ime ende s’ka mbaruar. Fundin kurrë nuk e shoh. Çka shoh është vetëm fillimi.

32

Prandaj kujtimet le të mbeten aty. Le të humbin mes anonimatit, nëse dikush nuk do, nëse dikush nuk vjen, kujtimet e hidhëta e të egra, kundërmuese, të ëmbla, të ashpra e të brishta, shumëngjyrëshe e të dhimbshme të gjejë.

33

PA PASUR FRIKË
Fëminia ime e brishtë, qëndro përherë ashtu e papjekur pa pasur frikë nga dekompozimi.

34

TË TRADHTUAR
Tash jam i bindur: parajsë nuk ka, as ferr. Veç Jeta ekziston. (edhe Vdekja).

35

RRYMA
Çezmën e rrethuan me kangjella të dendura. Ujin e freskët askush nuk lejohet ta pijë. Por tani duhet të gjithë të shohin imazhin e tij dhe të sillen besueshëm, kinse s’kanë etje.

36

ÇDO HERË
Deri këtu ku kemi arritur kam vdekur shpeshherë. Tani s’ka më frikë nga vdekja. Sa herë që për ju më merr malli, i vdekur rrugëve endem, harruar prej botës së panjohur, që bartet pa pushim e ngulmueshëm pranë prezencës sime indiferente. Por nëse diku ju takoj, në një koordinatë hapësire dhe vendi, ndërron jetë vdekja ime. Dhe që nga hiri i harrimit po lind e tashmja ime e rehabilituar.

37

PO TË ISHA KRIMB
Po të isha krimb, do të hyja thellë në zemrën tënde dhe do të ngopesha së ngrëni me ëndje, sikundër një mollë, dashurinë tënde.

38

JETË
Endem kudo. Lë prapa tek iki veten time të vdekur. Lashë vdekësirë në rininë time, në vitet që ikën vjedhurazi. Tani po enden si hiena në shtigjet e errëta të kujtesës. Nuk ka më të ardhme, veç e tashmja ekziston, ajo që përditë përtyp derisa vdekja të ngopet.

39

MUNGESË AFATI
Në mur lexonte mëngjeseve me indiferencë atë parrullë profetike: «PENDOHUNI!» Dhe, kur një ditë nuk kaloi, iu kujtua parrulla. I mungonte. Përpara se vetë ta kishte kuptuar, u pendua. Pastaj pyeti veten dëshpërueshëm: «Deri kur do të pres për të më besuar?»

40

EPITAF
Para se të lindnim, u plakëm. Para se të rriteshim, vdiqëm. Jeta na u ofrua e vështirë. Mençuria na u dha e egër.

41

ATDHEU IM
U çmend atdheu im i dhembshur; rropullitë e veta po kafshon i ndërkryer. Atdheu im u bë Ciklop i verbër nëpër shpella të urrejtjes. Po rri i rreckosur dhe i tradhtuar dhe vulos me delire dhe krisma portat e mbyllura mosbujtëse.

42

SHPRESA
Na shikonin mëdyshas për të parë nëse ua meritonim dashurinë, por kurrë nuk kanë për të nxënë se asgjë nuk shpresojmë të na falin. Nuk do të vemi në luftën e kotë për t’ua pushtuar zemrën. Jemi të sigurtë se asgjë nuk kemi për të fituar, asnjë të mirë materiale, as kthjellimin metafizik. Duam pikërisht që t’i bindim se na detyrohen respekt.

43

ELEGJIAKE
Në shpinën time janë vizatuar goditjet e thikave të miqësisë së tradhtuar. Në zemrën time janë ruajtur blanat e dashurisë së dështuar. Dhimbja është e stërmadhe. Nuk mbaj zi. Nuk qaj çastet e vdekura që ikën. Sot unë kam festë. E fitova sërish qetësinë. Jetoj nga e para në paqe me veten time të rifituar.

44

ATA KUJDESESHIN
Koha kaloi. Na ka mbetur si aerodrom i bombarduar zhgënjimi. Ndihemi të gjithë të tradhtuar. Aspak nuk mendojmë hakmarrjen. Kur ata kujdeseshin të bëheshin të mëdhenj, ne kujdeseshim të ishim të mirë.

45

DEKADENCË
Një sy inert përgjon prapa derës, që pres më kot të më hapet. Një vesh indiferent dëgjon pa mëshirë çka me drojë i diktoj sekretarisë telefonike. Një përbindësh i zi gëlltit vazhdimisht shpirtin tim të ekspozuar. Kam shumë ftohtë brenda këtij dimri të tërbuar. Tani kohën po gjej për të shkruar tragjedinë E TYRE.

46

SHPALLJA E HERONJVE
Qetësi, po shpallen heronjtë e kasaphanës së madhe. Salla mbushur dëshmitarë okularë. Është kohë gëzimi, moment kyç për pajtim kombëtar. Atje, në skajin e sallës, dergjet e rëndë dhe e akullt, pa e ngritur askush, barra e përgjegjësisë. Të gjithë kalojnë anash dhe shtiren sikur nuk e shohin duke u kujdesur, kinse të ekzaltuar, për medaljet e bukura. Fitorja është diçka e largët dhe në drejtimin e kundërt, kur shpinën të kthyer e ke dhe vështrimin flakur përdhe tinëzisht.

47

PESHKATARËT
Fatos Golajt, mbytur në ujërat e Korfuzit

Tani peshkatarët nuk hanë më peshq, se çmimi i peshkut është rritur, se më të rrallë janë bërë tani peshqit dhe për këtë arsye nuk janë më ushqim për peshkatarët. Sepse tani prej peshqve peshkatarët bëjnë para, gjersa me komoditet duan ta pushtojnë mjerimin e tyre.

48

KËNGË FËMINORE
Sa herë larg teje ndodhem dhe dhimbjen ndiej të rëndë për ty me mall mendohem drejt teje me mall rend. Por që kur pranë t’u gjenda gjaku seç m’u prish, çmallimin e harrova dhe dhimbje kam dyfish.

49

DHE UNË
Dritat u fikën. Perdja ra. Të gjithë nxituan drejt skenës me rolet e tyre. Spektatorë nuk paska. Vetëm unë. Të gjithë e besuan, por unë nuk do t’u them një sekret do më jetë; do të insistoj për të mos u thënë se në rol edhe unë kam qenë.

50

POST MORTEM
Tani që vdiq, të gjithë e deshën. Në bodrum i hapën fuçitë: Festimet për mungesën e tij kanë filluar.

51

EPITAF II
O kalimtar i huaj, këtu ku kalon dergjen mendimet poetike të papjekura, ato që vdiqën para se të lindnin, në çastet e vështira të ndjesisë. Nuk u takon kurorë. Veç një vajtim efemer dhe një zi e shkurtër e mendjes.

52

IDENTITET I TRAZUAR
Kuptimi i fjalëve humbi, antonimet ndërruan vendet në dialektikën e egër të ironisë. Njeriu u bë kafshë dhe kafsha njeri dhe qarku rëndë u dëmtua në identitetin e humbur të kumteve. Buzët e përgjakura, që të tregojnë të qeshur në brengën tënde, e di: janë nga puthja e afshtë e shtazës së dashur. Ndërsa bisha e plagosur për vdekje qante në cep, se askush nuk beson.

53

NË RESTORANTIN E MJERË
Gjithçka ka mbaruar, zotëri, Asgjë nuk ka mbetur: sy dhe hundë dhe gojë, mëlçi dhe zemra dhe veshka, duar dhe këmbë, çdo gjë ka mbaruar, gjer dhe të përbrendshme s’ka më. I hëngrën të gjitha klientët e shumtë që kaluan. Ah, po. Tani kanë mbetur vetëm ca njerëz të çuditshëm, që gjithë rrinë duke ngrënë trurin e tyre të zgjuar.

54

LETËR POETIT JAKUMIS NGA ATË RAFAELI
Zoti Jakumis!

Ki mishërier për ne!
Ia nisën ngricat e mëdhaja. Varfëria po ha me neps brinjët e dhimbshme të mjerimit tonë. Vdekja po na këqyr kasolleve, për t’u ngrohur në zjarrin e vatrave tona, por të çara nuk ka ku të gjejë. Sepse Ynëzot përsosurisht na ka izoluar. Lavdi, pra, Zotit tonë, zoti Jakumis!

55

LYPSARË
Insistojnë që të mbeten për të na bindur se janë dekoratat e bujarisë sonë, mbërthyer në gjoks të qytetit. Çdo ditë që vjen sjell dhe lypsarin e saj për të dëshmuar sa të paepur jemi në hipokrizinë tonë ose për të provuar nëse të lodhur jemi nga loja e stërgjatur e mirësisë. Ata janë pasqyra e turpit tonë, që e shohim përditë me tmerr dhe nuk guxojmë ta thyejmë, për të mos u shumëfishuar fajësia jonë.

56

ZYRË FUNERALESH
Vdekja pret porositë në telefon për të fituar mëditjen. Vetë nuk e di se ku e ka vendin: në të gjallë a të vdekur. Veç një gjë është e sigurt: nuk është e pavdekshme. Një idol nëpër mure kujton një ditë të përzishme pa telefonatë dhe një varrim pa kortezh. Të gjithë varrmihësit punojnë pafajësisht pa pasur ndërgjegjen e çastit të mbramë.

57

PLEHRAT
Kushtuar mikut tim S.M.

Kjo është epoka e riciklimit, ku asgjë nuk shkon dëm. Plehrat janë bërë të dobishme dhe kanë zënë pozitë të rëndësishme në mjedisin rrethues. Kadet e plehrave janë bërë tribuna solemne takimesh të shenjta. Çdo gjë mban erë, qelbet, kutërbon, e megjithatë nuk zhvlerësohet, cilësohet rishtas e mirë. Tradhtia, pabesia, ndërrojnë pamje, marrin fytyrën e virtytit, rivlerësohen si patriotizëm, besnikëri. Marrin emra dhe mbiemra të ndryshëm; mund të jetë Matushi, Mutashi, Shaniku, Shanoku, Shurraku dhe Jargu dhe Morku, pak rëndësi ka. Edhe pse qelbet, plehu ngul këmbë, shkatërron mjedisin, thotë, po të flaket, Prandaj dëshiron të ripërdoret, për të qenë i vlefshëm, thotë,

58

lufton vetëmohimin duke menduar ekologjikisht për të ardhmen e kombit të infektuar nga mashtrimi i përsosmërisë. Fuçia u kthye në tribunë të lartë, ku parakalojnë plehrat gojëtare duke shpallur vlerat e parimeve të kalbura me gojën e zezë kutërbuese. Ekstremisti i djathtë predikon barazinë shoqërore shanset e barabarta, thotë, me gjuhën moderne. Majtisti i djeshëm udhëheq privatizimin, sigurisht edhe firmën e grumbullimit të plehrave duke ia hequr kompetencat bashkisë. Prifti pajton partitë politike të zhytura në gjirizin e shpifjeve reciproke dhe të intolerancës. Të paaftët mbrojnë doktoratat me temë kreativitetin e homoseksualëve, tubohen nëpër sesione shkencore dhe zënë me radhë kaden duke folur solemnisht për emancipimin e fituar nga plehrat e sotme në shoqërinë problematike të konsumit. Epoka harmonike e riciklimit i ka rrëzuar të gjitha tabutë dhe fjalën pleh, dikur të urryer,

59

aq lart në piedestal e ka ngritur, sa edhe qeveria e ka marrë seriozisht çështjen moderne të plehrave duke e vlerësuar si kriter emancipimi. Nëpër ministri është hapur dera për hyrjen e ligjshme të plehrave; do të përgatitet dhe kuadri ligjor, thonë, që kjo punë të marrë karakter të përhershëm. Kjo është epoka e riciklimit, që çon megjithatë në konsum, i cili në një moment e ndalon riciklimin e pashtershëm të plehrave dhe bën të domosdoshme groposjen përfundimtare për të shpëtuar mjedisin nga qelbja.

60

THEROR
Këtë ditë po e flijoj. Qoftë një mblatë në kujtim të përpjekjeve të humbura dhe një premtim i fitores së ardhme.

61

PASQYRA E LËNDËS
DASHURI E PATHËNË .............................................................................. 7 NË FESTËN EROTIKE ................................................................................ 8 PREMTIM ................................................................................................ 10 MERRMË! ................................................................................................ 13 PA QENË TË DY ...................................................................................... 14 MANEKINËT ........................................................................................... 16 IDENTITET .............................................................................................. 18 SI TË TË BESOJ........................................................................................ 20 «ËNDËRR»............................................................................................... 22 VETMI .................................................................................................... 24 VJEDHJE ................................................................................................. 25 PËRRALLË ............................................................................................... 26 DITAR I EPOKËS SË GURIT ..................................................................... 27 VEGIM ARDHMËRIE .............................................................................. 28 SKLLEVËR TË FATIT ................................................................................ 30 TANI ....................................................................................................... 31 KUJTIME ................................................................................................ 32 PA PASUR FRIKË..................................................................................... 34 TË TRADHTUAR .................................................................................... 35 RRYMA .................................................................................................. 36 ÇDO HERË ............................................................................................. 37 PO TË ISHA KRIMB ................................................................................ 38 JETË........................................................................................................ 39 MUNGESË AFATI.................................................................................... 40 EPITAF..................................................................................................... 41 ATDHEU IM ........................................................................................... 42 SHPRESA................................................................................................. 43 ELEGJIAKE .............................................................................................. 44 ATA KUJDESESHIN ................................................................................. 45 DEKADENCË........................................................................................... 46 SHPALLJA E HERONJVE ......................................................................... 47 PESHKATARËT........................................................................................ 48 KËNGË FËMINORE ................................................................................. 49 DHE UNË ............................................................................................... 50 POST MORTEM ...................................................................................... 51 EPITAF II................................................................................................. 52 IDENTITET I TRAZUAR .......................................................................... 53 NË RESTORANTIN E MJERË ................................................................... 54 LETËR POETIT JAKUMIS NGA ATË RAFAELI ......................................... 55 LYPSARË ................................................................................................. 56 ZYRË FUNERALESH ................................................................................ 57 PLEHRAT ................................................................................................ 58 THEROR.................................................................................................. 61

62

63