Kriminalistikë

TABELA E PËRMBAJTJES: PJESA 1 NOCIONI, NDARJA DHE RËNDËSIA E KRIMINALISTIKËS PJESA 2 METODIKA KRIMINALISTIKE E HETIMIT TË VEPRAVE PENALE PJESA 3 NJOHURI TË PËRGJITHSHME PËR TEKNIKËN KRIMINALISTIKE PJESA 4 STUDIMI MBI GJURMËT PJESA 5 STUDIMI MBI ARMËT E ZJARRIT PJESA 6 KRIMI I ORGANIZUAR DHE KONTRABANDA PJESA 7 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË VRASJES PJESA 8 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË KRIMEVE SEKSUALE PJESA 9 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË AKSIDENTEVE TË TRAFIKUT PJESA 10 METODIKA E ZBULIMIT TË VJEDHJEVE PJESA 11 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË KRIMINALITETIT EKOLOGJIK PJESA 12 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË KRIMINALITETIT KOMPJUTERIK Shënim: Skripta është përgatitur në bazë të syllabusit për lëndën “Kriminalistika” të ligjëruar nga Prof. Fatmir Qollaku. Për përgatitjen e saj janë përdorur burimet dhe literatura në vijim: “Kriminalistika, Zbulimi dhe të Provuarit e Krimit” Prof.Dr. Vesel Latifi, “Kriminalistika” Dr.Sc Nedzad Korjalic dhe Mr.Sc Driton Muharremi si dhe disa tema të ligjëruara nga Prof. Fatmir Qollaku gjatë vijimit të semestrit.

PJESA 1 NOCIONI, LËNDA, OBJEKTI, METODAT, NDARJA DHE RËNDËSIA E KRIMINALISTIKËS
1. Nocioni i Kriminalistikës
Kriminalistika është shkencë shoqërore që studion krimin, shkaqet dhe metodat për zbulimin e krimeve1, format e luftimit të krimit, parandalimin dhe kapjen e kryerësve të krimeve si dhe të provuarit e veprave penale. Kriminalistika në luftë kundër krimit përdor metoda e mjete shkencore për zbulimin, hetimin, gjykimin de parandalimin e veprave penale. Bazën ligjore të kriminalistikës e përbëjnë Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale.
1

Termi krim përdoret për shënimin e një sjelljeje të caktuar njerëzore (të realizuar me veprimin apo mosveprimin) me të cilën shkelet ligji.

Faqe 1

2. Ndarja trikotome
2.1 Metodika kriminalistike, si pjesë e veçantë e taktikës kriminalistike, studion format dhe mënyrat e kryerjes së veprave penale (teknikën dhe taktikën e delikuencës) dhe përcakton mënyrat dhe metodat më gjithëpërfshirëse për zbulimin, sqarimin dhe parandalimin e kryerjes së disa veprave penale. 2.2 Taktika kriminalistike Përkufizimi më i shkurtë i taktikës kriminalistike do të ishte se ajo është degë e shkencës kriminalistike e cila merret me studimin dhe aplikimin e veprimeve të drejta dhe të dobishme në zbulimin, hulumtimin dhe pengimin e veprave penale. Në kuadër të taktikës kriminalistike studiohet edhe praktika e zbulimit, hulumtimit, argumentimit dhe pengimit apo luftimit të kriminalitetit2 në tërësi me qëllim të përsosjes së mënyrave ekzistuese, metodave dhe rregullave të veprimit si dhe me qëllim të zbulimit, ndriçimit dhe pengimit të veprave penale të cilat nuk janë të natyrës teknike. Taktika kriminalistike, praktikës kriminalistike i ofron modelet më optimale të veprimit kriminalistik të karakterit të përgjithshëm, pra ato që vazhdojnë për të gjitha veprat penale. 2.3 Teknika kriminalistike Teknika kriminalistike është degë (nënsistem) i kriminalistikës që merret me gjetjen, studimin, përshtatjen dhe avancimin e metodave dhe mjeteve më të përshtatshme shkencore-teknike për luftimin e kriminalitetit nga fusha e shkencave natyrore dhe teknike dhe me qëllim të zbulimit, sigurimit, fiksimit dhe interpretimit të gjurmëve për qëllime zbuluese-dëshmuese. Teknika kriminalistike fut në procedurën parapenale dhe penale mjete dhe metoda shkencore dhe teknike me qëllim të zbulimit dhe sqarimit të gjësendeve dhe rrethanave në lidhje me veprat penale, që janë të rëndësishme për zbulimin dhe sqarimin e veprës penale, identifikimin e kryerësit, objektit të sulmuar dhe të tjerë. Shprehja „shkencore-teknike“ duhet marrë si shenjë për të gjitha metodat dhe mjetet që mbështeten në aplikimin e të arriturave të shkencave natyrore dhe teknike.

3. Detyrat e kriminalistikës në luftën kundër kriminalitetit
3.1 Detyrat kryesore të kriminalistikës në luftën kundër kriminalitetit janë: 3.1.1 gjetja e metodave më efektive dhe përshtatja e metodave ekzistuese për zbulimin e veprave penale dhe kryerësve të tyre si dhe përsosja, përshtatja e shfrytëzimi i metodave të shkencave të tjera për këtë qëllim. 3.1.2 zbulimi mbledhja dhe sigurimi i provave mbi veprën e kryer penale si dhe mbi fajin e personit të caktuar. 3.1.3 Gjetja, përsosja dhe shfrytëzimi i metodave më bashkëkohore me rastin e marrjes së masave taktike-kriminalistike dhe teknike-kriminalistike dhe të veprimeve që kanë karakter hetimor.
2

Për dallim nga krimi, kriminaliteti është dukuri masive dhe mund të përcaktohet si tërësi e atyre aktiviteteve të një ose më shumë personave të realizuar në periudhën e caktuar kohore dhe në rajonin e caktuar, të cilat janë në kundërshtim me rregullat juridike dhe për shkeljen e të cilave është paraparë sanksioni penal.

Faqe 2

3.1.4 mbledhja, evidencimi dhe studimi i mënyrës së kryerjes së veprave penale, aplikimit të mjeteve dhe metodave nga ana e kryesve të veprave penale ose veprimet që kanë karakter hetimor. 3.1.5 planifikimi dhe marrja e masave dhe veprimeve operative-taktike dhe operative teknike me qëllim të kapjes së kryesve që janë në arrati pas kryerjes së veprës penale. 3.1.6 studimi i psikologjisë së deklarimit të personit në procedurën parapenale si dhe të pjesëmarrësve në procedurë (dyshimtarit, të pandehurit), duke përfillur rregullat dhe parimet e taktikës dhe teknikës kriminalistike. 3.1.7 studimi dhe përcaktimi i metodave dhe mjeteve që mund të aplikohen në luftimin e kriminalitetit. 3.1.8 unifikimi i logjikës së të provuarit dhe të gjykuarit të veprës penale qysh nga të mësuarit për veprën e kryer penale deri në marrjen e vendimit gjyqësor. 3.1.9 Studimi i mënyrave dhe metodave për arritjen deri te njohuritë fillestare (indicet-baza e dyshimit) se është duke u përgatitur kryerja e veprës penale, me qëllim të parandalimit të tyre.

4. Heruistika
Kriminalistika heuristike e paraqet veprën penale si dukuri reale dhe njihet si zbuluese e veprës penale dhe kryesit. Ajo i shfrytëzon mjetet e vëzhgimit, shënimeve, përvojës jetësore, njohuritë nga shkencat tekniko natyrore,eksperimentimi etj.

5. Silogjistika
Kriminalistika silogjistike gjithashtu paraqet veprën penale si dukuri reale por edhe si lëndë të ndjekjes penale dhe drejtës penale. Kjo niset nga besueshmëria se personi i caktuar është kryes i veprës penale si dhe shqyrton në mënyrën më të përsosur nxjerrjen e veprimeve dhe dëshmive nga procesi. Mjetet e kriminalistikës silogjistike janë kufizuar me rregullat e procedurës

6. Indicia (indicium - shenjë)
Indicia ose bazat e dyshimit janë informatat fillestare të cilat më shumë ose më pak tregojnë për ekzistimin e veprës penale dhe për lidhjen e afërt apo të largët të veprave me ndonjë person i cili në mënyrë direkte si kryerës, ose indirekte është i lidhur për veprën. Ato në përpunimin kriminalistik janë udhërrëfyes i domosdoshëm dhe mjet në bazë të së cilit me një siguri më të vogël apo më të madhe mund të përfundohet se fjala është për veprën e caktuar penale dhe se personi i caktuar do të mund të ishte kryerës i saj ose i veprës tjetër penale. Në praktikën kriminalistike indicet ndahen sipas kritereve të ndryshme. Nga pikëpamja jonë është e

Faqe 3

rëndësishme ndarja e tyre sipas veprës penale dhe kryesit të saj, gjegjësisht indicet të cilat kanë të bëjnë me veprën penale dhe ato që kanë të bëjnë me kryesin. indicet mund të ndahen edhe sipas elementeve themelore të veprës penale: vendit, kohës, mënyrës së kryerjes. Ato mund të paraqiten para kryerjes së veprës penale, në kohën e kryerjes së veprës penale ose pas kryerjes së veprës penale.

7. Prova
Është objekt i të provuarit,tërësia e fakteve, konstatimi i të cilave është i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të një çështjeje penale.

PJESA 2 METODIKA KRIMINALISTIKE E HETIMIT TË VEPRAVE PENALE
1. Metodika kriminalistike e hetimit të veprave penale
1.1 Metodika e hetimit të kategorive të ndryshme të veprave penale nga ana e saj ndihmon me rekomandimin e saj shkencor për të bërë cilësimin e drejtë të veprës penale. Si rrjedhim, në përpunimin e çdo metodike të hetimit të veprave penale merren parasysh kërkesat e shkencës së të drejtës penale, normat dhe institutet penale, të cilat përbëjnë një nga baza te saj juridike. Sfera e zbatimit të metodave e mjeteve kriminalistike është më e gjerë në procesin e hetimeve parapake se sa në atë të gjykimit. Është kështu për arsye se politika gjyqësore dhe prokurori janë pjesëmarrësit e parë të veprimtarisë procedurale. 1.2 Planifikimi i veprimeve operative – taktike dhe hetimore bëhet me kombinimin e metodave të analizës (zbërthimi i tërësisë në pjesët e saja përbërëse) dhe sintezës (bashkimi i pjesëve në tërësi), induksionit dhe deduksionit si dhe analizës. Një vepër penale unike ndahet në rrethanat e ndryshme që studiohen. Për secilën nga këto rrethana ngritën versione në bazë të nëntë pyetjeve kryesore. Pyetjet “e arta” (kryesore) paraqesin skeletin e punës në fazën e zbulimit, procedurën parapenale dhe penale. Nëse këtyre pyetjeve u japim përgjigje të saktë dhe të plotë, atëherë mund të konstatohet se është zbuluar dhe provuar e vërteta objektive që ka të bëjë me veprën penale konkrete. Pyetjet “e arta” (kryesore) të kriminalistikës janë: Çka (ka ndodhur)? Kush (është kryesi)? Kur (e ka kryer)? Ku (e ka kryer)? Si (është kryer)? Me çka (është kryer)? Pse (është kryer? Kënd ose me çka? Me kë (është kryer)?

Faqe 4

1.3 Të gjitha pyetjet kryesore dhe përgjigjet e tyre përbëjnë tërësinë organike, prandaj duhet caktuar dhe zgjidhur si të tilla. Struktura e nëntë pyetjeve tregon degëzimin e tyre në dy drejtime. Përgjigjet e pyetjeve “çka”, “kur”, “ku”, “si” dhe “me çka” ndriçojnë në rend të parë anën objektive të veprës penale, ndërsa përgjigjet pyetjeve “pse”, “kush” dhe “me kë” kanë të bëjnë kryesisht me momente subjektive të kësaj vepre.

2. Luftimi bashkëkohor i kriminalitetit
2.1 Parandalimi dhe luftimi i suksesshëm i kriminalitetit nuk mund të mbështetet vetëm në metoda e mjete të kriminalistikës. Në këtë drejtim është e domosdoshme njohja e shkencave të tjera të cilat lëndë studimi kanë kriminalitetin (e drejta penale, e drejta e procedurës penale, kriminologjia, politika kriminale, mjekësia ligjore, psikologjia etj). Edhe pse të gjitha këto shkenca e studiojnë kriminalitetin, nga aspekte të ndryshme, duke e krahasuar kriminalistikën me shkenca të tjera, vëmendje e theksuar i është kushtuar raportit të kriminalistikës me kriminologjinë. Kriminalistika dhe Kriminologjia e studiojnë kriminalitetin nga aspekte të ndryshme, Kriminalistika nga aspekti i zbulimit të veprave penale dhe kryerësve kurse Kriminologjia në relacion më të gjerë, nga aspekti i kërkimit të shkaqeve dhe kushteve e formave të paraqitjes së veprave të caktuara penale. 2.2 Me analizën e formave konkrete të kriminalitetit bashkëkohor dhe përgjithësimin e rezultateve të fituara (gjendjet, dinamikat, trendët) është vërtetuar se kriminaliteti i sotëm si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në botë ka këto karakteristika: 2.2.1 Modifikimi i dukurive ekzistuese dhe paraqitja e formave të reja të kriminalitetit (Paraqitja e formave të reja të kriminalitetit është kushtëzuar me ndryshimet e krijuara në sferat e shumta të jetës shoqërore, përparimin e shkencës dhe teknologjisë, ndryshimin e marrëdhënieve pronësore, rregullativës legjislative etj. 2.2.2 Masiviteti i shprehjes kriminale (Të dhënat ekzistuese statistikore për gjendjen dhe lëvizjet e kriminalitetit në nivelin botëror-global tregojnë që numri i veprave penale të kryera është absolutisht në rritje. 2.2.3 Organizimi i veprimit kriminal (Veprimtaria e organizuar kriminale, e motivuar me dëshirën për ngritje të profitit nënkupton organizmin kualitativ të punës, ndarjen e roleve në kryerjen e aktiviteteve të drejtpërdrejta, zgjerimin, ndikimin dhe mbulimin e rajonit më të gjerë si territor ashtu edhe në sferat e jetës ku janë të përfshirë. 2.2.4 Lëvizshmëria e kryerësve të veprave penale (Lëvizshmëria e kryerësve të veprave penale është shpesh parakusht i rëndësishëm për kryerjen me sukses të veprave të caktuara penale (kontrabandimi i narkotikëve nga territori i vendeve ku prodhohen, mallrat teknike nga rajoni ku çmimi është më i ulët, furnizimi me armë dhe municion në regjionin ku është më lehët të arrihet deri te ato etj.).

Faqe 5

2.2.5 Përsëritësit-Recidivistët (Të dhënat tregojnë se në numrin e tërësishëm të personave të dënuar një të pestën e përbëjnë përsëritësitrecidivistët. Fakti se përsëritësit-recidivistët vendosin në përsëritjen e aktiviteteve kriminale e bënë këtë kategori të kryerësve të veprave penale veçanërisht të rrezikshëm për shoqërinë. 2.2.6 Specializimi i kryerësve të veprave penale (Me zgjedhjen e një lloji të caktuar të veprave penale, ushtrimin dhe aplikimin e shpeshtë të mënyrave të caktuara të kryerjes së tyre, disa kryerës e ndërtojnë stilin e tyre vetanak të veprimtarisë kriminale. 2.2.7 Profesionalizimi (Për herë e më shumë ka kryerës të veprave penale me shprehinë e zhvilluar drejt sjelljes së përgatitur mirë kriminale, të cilën e ndërmarrin rregullisht në rajonin e gjerë dhe të cilat për ta pothuajse paraqesin profesion të përhershëm). 2.2.8 Keqpërdorimi i të arriturave shkencore-teknike (Niveli i tanishëm I zhvillimit shkencor i shoqëruar me të arritura teknike ofron mundësinë e keqpërdorimit për qëllime kriminale si në fazën e përgatitjes ashtu edhe me rastin e kryerjes së veprave të shumta penale në lëmin e prodhimit të drogave sintetike, përgatitjen dhe bërjen e falsifikimeve, në lëmin e kriminalitetit kompjuterik, te përgjimi i paautorizuar dhe incizimi tonik, te krimet e ndryshme që janë kryer me mjete të ndryshme për paaftësim, te vrasjet e kryera me ndihmën e mjeteve eksplozive me aktivizim në largësi, materieve radioaktive etj.) 2.2.9 Aplikimi i dhunës (Animi nga dhuna gjatë kryerjes së disa veprave penale ka për qëllim të pamundësojë zbulimin e kryerësve dhe të ështirësojë dëshmimin e veprimtarisë së tyre kriminale dhe sipas rregullit përbëhet nga frikësimi madje edhe në eliminimin e personave që tentojnë që t’u kundërvihen dhe të mundësojnë ose ndihmojnë zbulimin dhe dënimin e tyre.

3. Alibi
Alibi nënkupton „në vendin tjetër”. Në praktikë kjo është dëshmi që e ofron i dyshuari apo i akuzuari lidhur me mospraninë e tij në kohën dhe në vendin e ngjarjes. Pra mund të thuhet se alibia është provë e llojit të vet të pafajësisë së ndonjë personi e cila vërteton se personi i caktuar në të cilin dyshohet se ka kryer vepër penale, në kohën kur vepra është kryer ka qenë në vend tjetër, e jo në vendin e veprës penale. “vërtetimi i alibisë ka kuptim vetëm nëse paraprakisht është vërtetuar saktë koha dhe vendi i kryerjes së veprës penale”. Alibia e vërtetuar saktë është provë e pathyeshme se personi i caktuar nuk e ka kryer veprën penale, kurse në anën tjetër alibia e rrejshme ose e dyshimtë nuk është provë e fortë për të dyshuarin se nuk e ka kryer veprën penale. Alibia e rrejshme mund të jetë edhe rezultat i hutimit apo harresës së të dyshuarit.

4. Kapja në Flagrancë
Kapja në flagrancë nënkupton kapjen e një personi te caktuar ne kryerje e sipër, ne ikje menjëherë pas kryerjes ose ne bartje apo pranë sendeve apo provave materiale

Faqe 6

të një vepre penale. Për te qene e tillë duhet te jete fiksuar rregullisht me formën përkatëse procedurale (procesverbal).

PJESA 3 NJOHURI TË PËRGJITHSHME PËR TEKNIKËN KRIMINALISTIKE
1. Përkufizimi i teknikës kriminalistike
Teknika kriminalistike është degë (nënsistem) i kriminalistikës që merret me gjetjen, studimin, përshtatjen dhe avancimin e metodave dhe mjeteve më të përshtatshme shkencore-teknike për luftimin e kriminalitetit nga fusha e shkencave natyrore dhe teknike dhe me qëllim të zbulimit, sigurimit, fiksimit dhe interpretimit të gjurmëve për qëllime zbuluese-dëshmuese. Teknika kriminalistike fut në procedurën parapenale dhe penale mjete dhe metoda shkencore dhe teknike me qëllim të zbulimit dhe sqarimit të gjësendeve dhe rrethanave në lidhje me veprat penale, që janë të rëndësishme për zbulimin dhe sqarimin e veprës penale, identifikimin e kryerësit, objektit të sulmuar dhe të tjerë. Shprehja „shkencoreteknike“ duhet marrë si shenjë për të gjitha metodat dhe mjetet që mbështeten në aplikimin e të arriturave të shkencave natyrore dhe teknike.

2. Ndarja e teknikës kriminalistike
2.1 Sot, teknika kriminalistike si nocion unik nga arsyet didaktike kushtimisht mund të ndahet në: 2.1.1 Teknikën kriminalistike operative 2.1.2 Laboratorike ose hetimore

3. Identifikimi i Personit në bazë të tipareve të jashtme
Përcaktimi i njeriut ose i sendit konkret në identifikimin kriminalistik arrihet në dy faza. Në fazën e parë përcaktohet përkatësia grupore e objektit të identifikuar (bëhet krahasimi, nëse përputhen shenjat e përgjithshme) dhe në fazën e dytë, nga numri i objekteve të këtij grupi, përcaktohet objekti konkret. Identifikimi i personit ka për qëllim: të përcaktojë personin e kryesit të panjohur, a është ai person recidivist, ti zbulojë emrat falso, ta përcaktoj personalitetin e të sëmurit shpirtëror, ta vërtetojë identifikimin e kufomës. Mjetet për identifikimin kriminalistik janë: lista abecedike, antropometria, daktiloskopia, fotografia e përshkruar etj. 4. Antropometria Metodat shkencore për identifikimin e personit filluan të përdoren në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në vitin 1840 doli teoria se nuk ka dy njerëz që të kenë masa të njëjta (astronomi, statistikani dhe matematikani belg Lamber-Adolphe-Quetelet). Në bazë të kësaj teorie, në vitin 1880, kriminalisti francez Alphonse Bertillon i

Faqe 7

zëvendësoi metodat e vjetra të identifikimit (d.m.th paradën e identifikimit) me metodën e re, e cila mori emrin Antropometria. Kjo metodë u përdor në atë kohë për të bërë identifikimin e personit në bazë të matjeve kockore të trupit të njeriut, si shtati, gjatësia dhe gjerësia e kohës, gjatësia e gishtit të mesëm e gishtit të vogël, e deri në fund të gishtit të mesëm të dorës së majtë, të këmbës së majtë e tjera. Metoda antropometrike, në atë kohë kishte të meta të cilat shkaktoheshin nga mungesa e njohurive të personave të ngarkuar për të bërë matjet kockore me instrumente përkatëse nga ndryshimet që pëson njeriu gjatë rritjes, nga ngjashmëria që kanë binjakët në pjesë të ndryshme të trupi etj. 5. Fotografia kriminalistike Fotografia kriminalistike është sistem i metodave dhe supozimeve shkencore që mbështeten në të, mënyra dhe lloj i incizimit fotografik që shfrytëzohet me rastin e mbledhjes dhe fiksimit si dhe të hetimit të gjurmëve dhe gjësendeve kriminalistike dhe realizimit të masave dhe veprimeve të tjera operative dhe hetuese në luftimin e kriminalitetit. Fotografia kriminalistike dallon nga fotografia e përgjithshme sipas bazës juridike për aplikimin e saj, cakun e aplikimit, specifikave të objektit të incizimit dhe sipas rregullave të incizimit. Për nevoja të identifikimit më së shumti shfrytëzohen në evidencën kriminalistike „albumet e fotografive“ (albumi i kriminelëve) për njohjen e kryerësve të veprave penale nga na e viktimave dhe dëshmitarëve okularë. 6. Fotografia e përshkruar dhe Fotoroboti Nevoja për mënyrën e veçantë të identifikimit paraqitet kur ekziston dëshmitari okular, por personi i dyshuar është i panjohur. Në rastet e tilla mënyra e vetme është që dëshmitari okular të përshkruajë kryerësin e veprës penale, kështu në bazë të përshkrimit të dhënë rikonstruktohet fytyra. Rikonstruktimi i fytyrës kryhet në dy mënyra: me dorë të lirë (artisti-portretisti në bazë të përshkrimit skicon fytyrën e kryerësit të veprës penale) dhe me ndihmën e pajisjes speciale të quajtur foto-robot.

PJESA 4 STUDIMI MBI GJURMËT
1. Traselologjia
Traseolgjia studion gjurmët që ka lënë objektet me një strukturë të jashtme të caktuar. Detyrë themelore e saj është identifikimi i atij objekti që ka lënë gjurmë si dhe mënyra se si janë lënë ato. Identifikimi traseologjik ka për detyrë edhe identifikimin e të tërës në bazë të pjesëve, d.m.th, përcaktimin e objektit, pjesët e të cilit më parë i përkitnin një të tëre. Në këtë mënyrë traseologjia studion gjurmët, të cilat pasqyrojnë strukturën e jashtë të objekteve dhe ndjek identifikimin e këtyre objekteve dhe sqarimin e rrethanave që kanë të bëjnë me mekanizmin e formimit të

Faqe 8

këtyre gjurmëve. Detyra e traseologjisë është sqarimi i rrethanave se si janë formuar gjurmët.

2. Mikrogjurmët
2.1 Mikrogjurmët janë gjurmë përmbajtja informative e të cilave qëndron nën pragun e shqisave të njeriut, andaj këto ndryshime kriminologjikisht relevante nuk mund të vërehen me shqisat dhe ekzistimi i të cilave presupozohet dhe të cilat mund të bëhen zbuluese-dëshmuese vetëm me aplikimin e principeve të gjurmimit kriminalistike-teknike, si dhe me zhvillimin e metodave dhe mjeteve për sigurimin dhe vlerësimin e tyre. 2.2 Mikrogjurmët janë aq të shumëllojshme sa është e vështirë, për të mos thënë e pamundur të bëhet klasifikimi i tyre shkencorë. Në vija të përgjithshme, duke u mbështetur në prejardhjen e tyre, mund të bëhet ky klasifikim: 2.2.1 Grupi i mikrogjurmëve me prejardhje biologjike, ku përfshihen fijet e flokut të njeriut, qimet e kafshëve, fijet e tekstileve etj. 2.2.2 Grupi i mikrogjurmëve me prejardhje organike, ku përfshihen karburantet, bojërat, lubrifikantët etj. 2.2.3 Grupi i mikrogjurmëve me prejardhje inorganike, ku përfshihen mikropjesë të metaleve të ndryshme dhe mikroobjekte tjera me origjinë inorganike. 2.2.4 Grupi i mikrogjurmëve me prejardhje të përzier, ku përfshihen mikro-objektet e natyrës biologjike, organike dhe inorganike.

3. Makrogjurmët
Makrogjurmët paraqesin gjurmë të dukshme të dimensioneve më të mëdha. Makrogjurmët kryesisht vërehen lehtë, pa përdorimin e mjeteve të posaçme, lehtë fiksohen dhe kjo kryesisht nuk theksohet posaçërisht.

4. Daktiloskopia
Daktiloskopia është metoda më e sigurt dhe më e përhapur bashkëkohore e vërtetimit të identitetit të personave në bazë të vijave papilare. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e vijave papilare në gishtërinj, shuplaka dhe shputat e njerëzve me qëllim të vërtetimit të identitetit. William James Herschel i pari i ka përdorur shenjat e gishtërinjve për identifikimin e personave që kishin bërë kërkesë për pensionim në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit 19 në Indi. Ka treguar se forma e vijave nuk ndryshon me moshën.

Faqe 9

Nga pikëpamja kriminalistike, me anën e daktiloskopisë vërtetohet identiteti i personave të gjallë dhe të vdekur dhe identiteti i shkaktuesit të ndonjë gjurme. Vijat papilare krijohen në muajin e katërt embrional dhe dukja e tyre nuk ndërron prej lindjes e deri në vdekje (dekompozimi i trupit). Vizatimet e vijave papilare janë strikt individuale. Kjo do të thotë se nuk ekzistojnë dy njerëz me vizatimin identik të vijave papilare. Në rast të lëndimit të epidermisit, me shërimin krijohen imazhet e njëjta të vizatimit të vijave papilare.

5. Gjurmët e Gjakut
Gjurmët e gjakut kanë rëndësi të posaçme, sidomos për shkak se ato mund të gjenden në ato raste kur kemi të bëjmë me vepra të rënda penale. Në bazë të tyre është e mundshme të bëhen prova e të dhënave të rëndësishme dhe të rrethanave përkitazi me ndriçimin e veprës penale në bazë të tyre. Në vendin e ngjarjes gjurmët e gjakut duhet kërkuar në ato vende ku nuk bien në sy në shikim të parë, sepse ato nuk i ka vërejtur as kryesi e as ka bërë përpjekje ti eliminojë. Te kryesi gjurmët e gjakut duhet kërkuar në rrobat e tij, në të mbathurat, në trup. Te viktima, zakonisht gjurmët e gjakut shihen lehtë, prandaj nuk kërkojë punë të posaçme për tu gjetur. Pasi të gjenden gjurmët e gjakut, duhet të bëhet fotografimi shkallëzues, për të fiksuar pozitën dhe formën e tyre. Gjaku i të gjitha racave njerëzore ndahet në katër grupe O, A, B dhe AB. Grupet e gjakut të njerëzve janë të trashëgueshme dhe të përhershme. Grupet e gjakut mund të vërtetohen në mënyrë të sigurt. Përcaktimi i grupit të gjakut hyn në punë në kriminalistikën praktike vetëm për të mohuar një provë, sepse në bazë të grupit të gjakut mund të vërtetohet nëse një lloji të caktuar të grupit të gjakut i përket një person i caktuar, po qe se nuk përputhen grupet e gjakut.

6. Gjurmët e spermës
Gjurmët e spermës janë çështje të hulumtimeve mjeko-ligjore, që bëhen për të vërtetuar se a është me prejardhje të spermës ajo njollë apo jo dhe cilit grup të gjakut i takon personi nga i cili rrjedh njolla. Gjurmët e spermës zakonisht duhen kërkuar te rastet e delikteve seksuale (në vendin e ngjarjes, në viktimë, te kryesi). Ndryshe, njollat e spermës më së lehti gjenden me ndihmën e llambës së dorës, me dritë të dobët ose me llambën e kuarcit. Metoda më e mirë për zbulimin e gjurmëve të spermës është ajo fosfatike. Në bazë të gjurmës së spermës mund të identifikohet personi ose të caktohet grupi i gjakut. Këto gjurmë bëjnë orientimin edhe për motivin e krimit, kushtet në të cilat është kryer si dhe kohën dhe vendin e kryerjes së veprës penale. Me rastin e fiksimit të gjurmës së spermës, zakonisht kjo gjurmë merret së bashku me objektin në të cilin është gjetur.

7. Gjurmët e shputave të njeriut
Ecja e njeriut është në të vërtetë të kaluarit e peshës trupore mbi atë këmbë me të cilin hidhet hapi. Për këtë arsye, gjurma e këmbës, e krijuar duke ecur është

Faqe 10

gjithmonë më e thellë nga gjurma sipërfaqësore, e cila është krijuar duke qëndruar në vend. Gjurmët e këmbëve ndahen në gjurmët e lënda nga këmba e mbathur dhe të lënda nga këmba e zbathur. Këto Gjurmë janë statike dhe dinamike, të thelluara dhe të sipërfaqshme. Gjurmët e thelluara formohen kur shputa e këmbës, duke shkelur në lëndë të butë, rërë, pluhur, borë, lë formën e saj në përfytyrim kundërtor. Në vrap, shenja e thembrës pothuajse mungon, ndërsa shenja e tabanit është më e thellë për shkak të presionit të madh që ushtrohet në këtë rast në to. Në bazë të këtyre shenjave të përgjithshme dhe individuale bëhet kërkimi i personit në grupin përkatës dhe përcaktohet identiteti i tij.

8. Gjurmët e veglave të thyerjes
8.1 Kryesi, në disa raste pas kryerjes së veprës penale, e lë në vend ose e hedhë në aftësi të vendit të ngjarjes, veglën që ka përdorur për thyerje. Këqyrja e veglës së thyerjes fillon me kërkimin e gjurmëve të gishtave të kryesit, vazhdon me zbulimin e shenjave që tregojnë përdorimin e kësaj vegle me thyerje, vendin dhe mënyrën e përgatitjes së saj, profesionin i mbajtësi, vetë mbajtësin dhe përcaktimin e individualitetit të saj. 8.2 Gjurmët të cilat i lënë veglat në objekte të ndryshme mund të ndahen në këtë mënyrë: 8.2.1 Në gjurmë të cilat pasqyrojnë ndryshimin e formës për shkak të humbjes ose shtypjes së materialit; shenjat e veglave në bartësin e gjurmës ose bartësin e gjurmës në vegël, të cilat janë krijuar për shkak të ndërrimit të substancës; 8.2.2 Sipërfaqësore (në sipërfaqe të forta), relievore (thellimet në objekte druri, bojë, në objekte plastike); 8.2.3 Gjurmët e thelluar dhe shenjat, gjurmët e rrëshqitjes dhe të gërrithjes, gjurmët e krijuara nga veprimi i veglave prerëse ose në veglat në të cilat gdhendet etj.

9. Metoda e ADN
ADN është shenja unike një dimensionale për individualitetin e dikujt, e më së shumti përdoret në kontekstin e aplikimeve forenzike gjatë identifikimit. Shumica e ADN-ve të njerëzve është identike për tërë qeniet njerëzore dhe vetëm një numër relativisht i vogël i lokacioneve të veçanta në ADN i vë në pah variacionet individuale. Ato variacione tregohen ose në numrin e përsëritur të bllokimeve të rrjedhës elementare ose në pengesat më të vogla jofunksionale të rrjedhës elementare. Proceset e kyçura në identifikim në bazë të ADN përcaktojnë se a rrjedhin dy mostra ADN nga individi i njëjtë apo individ të ndryshëm. Duke marrë parasysh që nga ADN mund të merren të dhëna “private” (siç janë llojet e ndryshme të sëmundjeve), ky lloj i teknikës së identifikimit ende nuk gëzon

Faqe 11

popullaritet të madh te shfrytëzuesit. Kjo metodë i takon grupit të teknikave të bezdisshme.

PJESA 5 STUDIMI MBI ARMËT E ZJARRIT
1. Kuptimi dhe ndarja e Balistikës
1.1 Fjala balistikë rrjedh nga Greqishtja (“ballo” që do të thotë “të hedhësh). Balistika kriminalistike studion metodat dhe mjetet teknike-shkencore per zbulimin, fiksimin dhe ekzaminimin e gjurmëve të lëna nga armët e zjarrit dhe nga municioni që është përdorur prej tyre me qëllim të identifikimit të armës së zjarrit në bazë të gëzhojës së predhës si dhe metodat dhe mjetet për përcaktimin e gjendjes teknike të armës së zjarrit dhe fenomeneve të qitjes me qëllim të zgjidhjes së problemeve që lindin në hetimin dhe gjykimin e veprës penale. 1.2 Balistika ndahet në dy degë kryesore: 1.2.1 Balistika e brendshme që studion lëvizjen e predhës brenda tytës së armës së shtyrë nga trysnia e gazrave të barotit; dhe 1.2.2 Balistika e jashtme që studion lëvizjen e predhës pasi të dalë nga gryka e tytës, kur ndaj asaj predhe ushtron ndikim graviteti i tokës dhe rezistenca e ajrit. 1.3 Përveç Balistikës së Brendshme dhe të Jashtme ekziston edhe Balistika Terminale: 1.3.1 Balistika Terminale studion efektin e projektilit (predhës) në cakun e qëlluar. Efekti i projektimit në cak varet nga shpejtësia e projektilit edhe pse nuk mund të lihen pas dore faktorët si forma e projektilit, lloji i cakut, lokacioni i goditjes etj.

2. Klasifikimi i armëve të zjarrit
2.1 Armët e zjarrit mund të klasifikohen sipas kritereve të ndryshme. Në bazë të destinacionit (përdorimit) të tyre klasifikohen në: 2.1.1 Armë Luftarake 2.1.2 Armë suvenir 2.1.3 Armë të gjuetisë 2.2 Sipas mekanizmit të punës, armët e zjarrit klasifikohen në: 2.2.1 Të respektuara: te të cilat për ndezjen e çdo predhe duhet të ndërmerren operacione mekanike me të cilat predha futet në tytë, ndizet dhe e hedh jashtë gëzhojën e ndezur;

Faqe 12

2.2.2 Gjysmë-automatike: te të cilat mjafton që vetëm predha e parë të futet në tytë e që më vonë në mënyrë sukseseve të bëhet ndezja e të gjitha predhave; dhe 2.2.3 Automatike: te të cilat pas futjes së predhës së parë në tytë, ndezja e të gjitha predhave të mbetura bëhet në mënyrë automatike.

3. Gjurmët e armëve të zjarrit në vendin e ngjarjes
Në vendin e kryerjes së veprës penale mund të gjendet vetë arma e zjarrit, gëzhoja dhe predha. Kur gjendet vetë arma e zjarrit, atëherë modeli dhe kalibri mund të përcaktohen nga të dhënat teknike të fiksuara në armë si dhe nga pesha, nga gjatësia e përgjithshme, nga gjatësia e tyres, nga sasia dhe drejtimi i vjaskave etj. Këto të dhëna krahasohen me modelet e katalogëve të llojeve të armëve të zjarrit. Përcaktimi i modelit dhe llojit të armës në bazë të predhës mund të bëhet në bazë të gjurmëve që lë kanali i tytës në predhë, si drejtimi, numri, gjerësia dhe këndi i vjaskave, sepse llojet dhe modelet e ndryshme të armëve kanë drejtim, numër, gjerësi dhe kënd të ndryshëm të vjaskave.

4. Eksperimentimi balistik kriminalistik
4.1 Ekspertimi balistik kriminalistik mbështetet mbi parimet e përgjithshme të identifikimit kriminalistik. Detyra kryesore e tij është identifikimi i armës së zjarrit në bazë të gëzhojave dhe predhave të qitura në vendin ku është kryer vepra penale. Pjesë e ekspertimit balistik kriminalistik është: 4.1.1 4.1.2 4.1.3 4.1.4 4.1.5 4.1.6 4.1.7 Fiksimi i gjurmëve të barotit Ekzaminimi i gëzhojës dhe predhës Përcaktimi i vendndodhjes së qitësit Përcaktimi i kohës së qitjes Përcaktimi i largësisë së qitjes Përcaktimi i diametrit dhe pamjes së vrimës së shkaktuar nga predha Fiksimi i gjurmëve balistike

PJESA 6 KRIMI I ORGANIZUAR DHE KONTRABANDA
1. Krimi i Organizuar
Përkufizimi i ‘krimit të organizuar” paraqet vështirësi të veçantë dhe ekzistojnë përkufizime të ndryshme në vende të ndryshme. Një përkufizim i mundshëm është si vijon “Krimi i organizuar paraqet bashkimin e dy ose më shumë personave me qëllim të vendosjes së monopolit në hapësirë gjeografike, në veprimtarinë kriminale e cila sjell fitim ose të ardhura të vazhdueshme financiare, së bashku me përdorimin e frikësimit, terrorit, ose dhunës mbi ata që i kundërvihen zhvillimit të saj, me anë të korruptimit të shërbyesve publikë pjesëmarrja e të cilëve është e domosdoshme për ekzistencën e mëtejme ilegale dhe zhvillimin e veprimtarisë kriminale.”

Faqe 13

2. Hetimi bashkëkohor i krimit të organizuar
2.1 Krimi i organizuar është një kërcënim i madh i stabilitetit politik dhe ekonomik të çdo vendi. Rruga vendimtare që duhet marrë në luftimin e krimit të organizuar konsiston në shkatërrimin e potencës financiare të tij dhe që presupozon edhe bashkëpunimin ndërkombëtar energjik edhe efikas. 2.2 Lufta e suksesshme kundër krimit të organizuar kërkon trajtim të gjithanshëm dhe të vazhdueshëm. Elementet me themelore të luftës kundër krimit të organizuar mund te jenë: 2.2.1 Përcaktimi dhe vendosja e paluhatshme e udhëheqjes politike të vendit dhe të gjithë organeve të tyre kundër krimit të organizuar. 2.2.2 Organizimi dhe bashkëpunimi institucional në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar kundër krimit të organizuar. 2.2.3 Sigurimi i dhënies së përgjegjësisë të të gjithë atyre në administratën shtetërore, qeveri, parti, që implikohen në krimin e organizuar. 2.2.4 Nxjerrja e legjislacionit të përbashkët kundër krimit të organizuar në nivel rajonal ose Evropian dhe formimi i organeve të përbashkëta të policisë dhe organeve të tjera të specializuara. 2.2.5 Reformimi i policisë dhe gjyqësisë në drejtim të organizimit të organeve të specializuara për luftimin e krimit të organizuar. 2.2.6 Organizimi i kërkimit të vazhdueshëm shkencor dhe profesional i krimit të organizuar.

3. Kontrabandimi
Kontrabandimi përcaktohet thjesht si aktivitet i bartjes ilegale të mallit që janë deficitare në treg ose të cilave u ulet çmimi i tregut, gjegjësisht mallrave shitja e të cilave është e kufizuar ose e ndaluar, që kryhet në mënyrë të organizuar dhe të fshehtë në formë të profesionit të përkohshëm ose të përhershëm për çka merret dëmshpërblimi i caktuar në para. Kontrabandimi ka të bëjë ekskluzivisht me kalimin e kufijve dhe bartjen e mallrave të ndryshme përtej kufijve. Kontrabandimi dallon nga Krimi i Organizuar për shkak se mund të kryhet madje edhe nga një ose dy persona. Disa nga format më të përhapura të kontrabandimit janë: Kontrabanda me narkotikë, kontrabanda me armë, kontrabanda e automjeteve, kontrabanda me vlera kulturore etj.

4. Trafikimi i qenieve njerëzore
Problem të rëndësishëm paraqet dëshmimi i tregtisë me qenie njerëzore, gjegjësisht vepra penale nuk mund të dëshmohet pa bashkëpunimin e viktimës. Në fazën e parë të tregtisë ilegale, gjegjësisht bartjes përmes kufirit, ato zakonisht nuk janë të

Faqe 14

gatshme për bashkëpunim. Bashkëpunojnë vetëm pas një kohe të shfrytëzimit dhe të mundimit që e rëndon shumë pozitën e tyre dhe punën e prokurorisë dhe të policisë. Organizatorët e bartjes ilegale për shërbimin e kryer iu marrin pagesa të mëdha emigrantëve (së paku një mijë dollarë për një person). Duke pasur parasysh kushtet johumane të transportit një numër i caktuar i azilantëve e pëson (për shembull në një rast në një kontejner janë ngulfatur pesëdhjetë kinezë). Rreziku shoqëror i kësaj dukurie qëndron në atë se ajo paraqet ”shifër të errët” shumë të madhe të kriminalitetit si në planin nacional ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

5. Kontrabanda me narkotikë
Kontrabanda me narkotikë, për nga organizimi dhe konspirativiteti (fshehtësia) mban vendin e parë në fushën e kriminalitetit profesional që rrezikon, më shumë e më pak, të gjitha vendet e botës. Ekzistojnë faktorë të ndryshëm që kushtëzojnë kontrabandën me narkotikë duke i dhënë kësaj veprimtarie karakter profitabil. Trafiku i drogës është një ndër format më të shpeshta të krimit të organizuar. Ky lloj krimi po shqetëson të gjitha vendet e botës, në veçanti SHBA dhe Evropën. Kontrabanda me narkotikë mund të paraqitet në formë të prodhimit dhe të qarkullimit të palejuar; me ndërmjetësimin në tregtinë e palejuar me narkotikë; në shitblerjen e narkotikëve në mënyrë të paligjshme dhe në transportimin e narkotikëve në mënyrë ilegale. Si formë më e rëndë e këtij fenomeni kriminal konsiderohet krijimi i rrjetit të organizuar të stërshitësve ose ndërmjetësuesve, i cili sjell fitime të mëdha materiale dhe pasurore. Karakteristikë e këtij veprimi kriminal është se manifestohet në forma të ndryshme, të cilat u përshtaten kërkesave dhe ofertave në treg. Ekziston një bashkëpunim dhe koordinim në nivel të përsosur të kryerësve nga regjionet dhe shtetet e ndryshme, që në të shumtën e rasteve janë profesionistë dhe me karrierë të njohur kriminale.

6. Metodika e zbulimit të kontrabandës
Metodika e zbulimit dhe sqarimit të kontrabandës mbështetet në njohjen e të gjitha specifikave të kësaj veprimtarie kriminale dhe vetive të kryesve në përgjithësi. Në këtë drejtim, orientimi i punës operative duhet të jetë i drejtuar kundër kryesve profesionist. Për zbulimin dhe sqarimin e kontrabandës më së shpeshti ndërmerren këto veprime: mbledhja e informacionit, mbikëqyrja e përforcuar, shfrytëzimi i rrjetit të punëtorëve (informatorët), këqyrja e dokumentacionit, prita, kontrollimi i automjeteve transportuese, udhëtarëve dhe valixheve. Në metodikën e zbulimit të kontrabandës, rol të veçantë ka shfrytëzimi i metodës indiciale. Ajo konsiston në vrojtimin me kohë të fakteve të caktuara, të cilat udhëzojnë për mundësinë se në rastin e caktuar bëhet trafikimi ilegal i mallrave në kalimet kufitare. Këto fakte apo indicje janë të klasifikuara në tri grupe: psikike, audiovizuele dhe taktike.

7. Menaxhimi i Integruar i Kufijve

Faqe 15

Menaxhimi i integruar i kufirit nënkupton bashkërendim dhe bashkëpunim kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjithë autoriteteve përkatëse dhe agjencive të përfshira në sigurinë kufitare dhe lehtësimin e tregtisë, për vendosjen e sistemeve të efektshme dhe me rendiment të menaxhimit të integruar të kufirit, më qëllim arritjen e objektivit të kufijve të hapur, por të mirë-kontrolluar dhe të sigurt.

PJESA 7 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË VRASJES
1. Kuptimi dhe llojet e vrasjeve
1.1 Me vrasje kuptohet ajo vepër (veprim ose mosveprim) e kundërligjshme, me anën e se cilës i hiqet jeta e një personi tjetër me dashje ose nga pakujdesia. Objekti i vrasjes, në çdo formë që paraqitet, mund të jetë vetëm jeta e një njeriu. Format e parashikuara nga Kodi Penal janë: 1.1.1 Vrasja me dashje; 1.1.2 Vrasja e cilësuar (me vrasje të cilësuar kuptohen ato vrasje me dashje që bëhen të tilla për shkak të rrethanave të posaçme, të cilat karakterizojnë figurën e krimit); 1.1.3 Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, 1.1.4 Vrasja me paramendim; 1.1.5 Vrasja në rrethana të tjera cilësuese; 1.1.6 Vrasja e foshnjës; 1.1.7 Vrasja me dashje e kryer në gjendje tronditje të fortë psikike të çastit e shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë e viktimës, 1.1.8 Vrasja me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme; 1.1.9 Vrasja nga pakujdesia.

2. Mjetet dhe motivet e vrasjeve
2.1 Mjetet dhe metodat që përdoren për ti shkaktuar vdekjen me dhunë personit në mënyrë të kundërligjshme janë të shumta. 2.1.1 Metodat e vrasjes janë: mbytja me lak, me duar, me ujë, vrasja, shkaktimi i dëmtimeve trupore, djegia, helmimi, mosdhënia e ndihmës ose mostregimi i kujdesit për foshnjën, etj. 2.1.2 Mjetet e vrasjes janë: armë zjarri, armë të ftohta, mjete të rastit si shkopi, guri, sëpata, çekiçi, lëndë helmuese, objekte që shtypin rrugët e

Faqe 16

frymëmarrjes si shami, litar, tel, peshqir, duar etj, rrymë elektrike, temperaturat e larta ose të ulëta etj. 2.1.3 Motivi i vrasjes: është fuqi e brendshme psikologjike që nxitë dhe aktivizon njeriun në aksion të caktuar. Ky aksion mund të manifestohet në formë të veprimit ose mosveprimit, të durimit ose në ndonjë formë tjetër. Mirëpo, motivi nuk është vetëm nxitës dhe aktivizues, por gjithashtu edhe drejtues i aksionit, duke ia përcaktuar drejtimin dhe intensitetin e veprimit si dhe modalitetin e manifestimit të tij.

3. Veprimet e para pas informimit për vrasjen
Në hetimin e vrasjes, veprime të para hetimore dhe veprime tjera janë: këqyrja e vendit të ngjarjes dhe e kufomës, pyetja e dëshmitarëve të parë, këqyrja dhe ekspertimi mjekoligjor, paraqitja për njohje e kufomës kur nuk njihet, ekspertimi kriminalistik i gjurmëve dhe provave materiale, ndjekja e fajtorëve në bazë të gjurmëve të freskëta, përdorimi i qenit të ndjekjes në një kohë me këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbikëqyrja në vende të caktuara dhe e personave të ndryshëm, mbledhja e të dhënave që i përkasin viktimës, kërkimi i sendit të vjedhur kur ka vjedhje me dhunë. Është e rëndësishme të theksohet se masat dhe veprimtaria e drejtuar në ndriçimin e vrasjes dhe në zbulimin e kryerësve, sipas natyrës që kanë, janë tejet urgjente dhe nuk durojnë kurrfarë zhagitje.

4. Pyetja e dëshmitarëve në vrasje
4.1 Në metodikën e zbulimit dhe sqarimit të vrasjeve, vend të veçantë zë edhe mësimi mbi sigurimin e provave personale. Karakteri i kësaj vepre penale, ndërlikueshmëria dhe pesha e efekteve psikologjike, të cilat ajo i nxit te dëshmitarët dhe kryesit, imponojnë nevojën e senderimit të veçantë të pyetjes së dëshmitarëve dhe të të pandehurve. Gjatë pyetjes së dëshmitarëve okular, duhet pasur parasysh se vrasja, si rregull, paraqet një ngjarje e cila ndodh befasisht dhe pa paralajmërime të shumta dhe atmosferën e së cilës shpeshherë e shoqërojnë tensione tejet të larta. Kujdes të veçantë gjatë pyetjes së dëshmitarëve duhet kushtuar ngjarjeve që i kanë paraprirë vrasjes, pozita e pjesëmarrësve në ngjarje, dialogu që i ka paraprirë ngjarjes, mimika dhe lëvizjet e trupit si dhe lëvizja përfundimtare e kryerësit. Pyetja e dëshmitarëve të parë duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme për shkak se sa më tepër që ata të bien në kontakt me njerëz të tjerë aq më e madhe është mundësia e sugjestionimit të tyre dhe për rrjedhojë, rreziku i ndryshimit të rrethanave që ata i dinë mbi krimin e kryer ose mbi viktimën. 4.2 Dëshmitarët e parë janë: 4.2.1 Personat që e kanë zbuluar të parët kufomën; 4.2.2 Personat që kanë parë ose dëgjuar se çfarë ka ndodhur në vendin e ngjarjes; 4.2.3 Farefisi, të afërmit, fqinjët, miqtë e viktimës.

5. Llojet e vetëvrasjeve Faqe 17

5.1 Vetëvrasja është shuarja e vetëdijshme dhe e qëllimshme e jetës së vetvetes. Ajo është dukuri socio‐patologjike dhe akt individual. Shpesh është formë e auto‐ agresionit. Etiopatogjeneza e vetëvrasjes është e ndryshme. Ajo mund të jetë pasojë e marrëdhënieve midis njeriut e rrethit të tij, e pengesave të ndryshme, e humbjes së ekuilibrit të personalitetit në rrethin e tij, etj. Modus operandi i vetëvrasjes është pothuaj i njëjtë me atë të vrasjes. 5.2 Vetëvrasjet mund të ndahen në akute (të menjëhershme) dhe kronike (të ngadalshme) si dhe direkte dhe indirekte (vetëvrasje indirekte janë kur kryerësi i vetëvrasjes nuk dëshiron ta privojë veten nga jeta, por kryen vepër penale ose e kallëzon vetveten për vepër penale të trilluar ose të kryer nga dikush tjetër me shpresë se do të dënohet me vdekje). Llojet e vetëvrasjeve janë si vijon: 5.2.1 Vetëvrasja e dyfishtë: kur dy anëtarë te sekseve të ndryshme ose të seksit të njëjtë, të shumtën e rasteve me motive dashurie; 5.2.2 Vetëvrasja familjarisht: kur anëtarët e rritur të familjes vendosin të shkojnë në vdekje me marrëveshje 5.2.3 Vetëvrasja tendencioze: kur kryhet me qëllim të caktuar, pra kur me vetëvrasje dëshirohet të thuhet diçka; 5.2.4 Vetëvrasja bilancore: kur kryesi është normal dhe vendos ti jap fund jetës pasi ti ketë balancuar shkaqet dhe kundër-shkaqet 5.2.5 Vetëvrasje recidive: kur vetëvrasja më parë nuk ka pasur sukses, por viktima tenton edhe më tutje derisa t’ia arrijë qëllimit; 5.2.6 Vetëvrasje e kombinuar: kur dikush në mënyrë të njëpasnjëshme ose të menjëhershme, në dy ose më shumë mënyra dhe me dy ose më shumë mjete kryen vetëvrasjen; 5.2.7 Vetëvrasje altruistike: kur njeriu me vetëdije flijon dhe sakrifikon veten. 5.2.8 Vetëvrasje e komplikuar: kur ndokush përjeton rast fatkeqësie dhe për ta ndërprerë vuajtjen kryen vetëvrasje. 6.3 Sipas mënyrës së kryerjes dallojmë: 6.3.1 Vetëvrasjet pasive: kur vetëvrasësi nuk është kryes i drejtpërdrejtë i vetëvrasjes por me qëllim dhe me vetëdije e sjellë veten në situata të rrezikshme; 6.3.2 Vetëvrasje aktive: kur vetëvrasësi vet e shkakton vdekjen; 6.3.3 Vetëvrasje individuale: vetëvrasja e një personi; 6.3.4 Vetëvrasja grupore: vetëvrasja familjare, vetëvrasja e dyfishtë etj.

Faqe 18

7. Çka është Trilema?
Trilema nënkupton dyshimin e trefishtë për vrasje, vetëvrasje, apo rast aksidenti. Me fjalë të tjera, trilema është dyshimi mbi mënyrën e vdekjes të cilën e kanë organet përkatëse me të hasur në persona të vdekur në një vend të ngjarjes.

PJESA 8 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË KRIMEVE SEKSUALE
1. Kuptimi i krimeve seksuale
Me krime seksuale kuptohen ato veprime të kundërligjshme, të kryera me dashje, që cenojnë lirinë seksuale dhe shëndetin e personit, të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal. Krimet seksuale kryhen me veprime aktive të kundërligjshme, si rregull, me dhunë, dhe që sjellin pasoja të rënda. Dhuna është element kryesor përbërës i figurës së krimit dhe ajo nënkupton kundërshtimin aktiv të së dëmtuarës deri në mposhtjen e saj me dhunë fizike, ashtu edhe me kanosje.

2. Karakteristikat e kryerësve të krimeve seksuale
Nga praktika e deritanishme hetimore dhe gjyqësore dihet se përqindja më e madhe e kryerësve të krimeve seksuale, e veçmas të veprave penale “marrëdhënie seksuale me dhunë” janë persona të rinj nën moshën 30 vjeçare. Shumica dërrmuese e kryerësve të këtyre veprave penale janë të gjinisë mashkullore. Niveli arsimor i kryerësve të këtyre veprave penale, si rregull është mjaft i ulët. Motivi për shumicën e krimeve seksuale është që fajtori të përmbushë pasionin e tij seksual. Ka edhe motive me karakter tjetër, siç është rasti kur personi i gënjyer kërkon të hakmerret. Në praktikë, ka raste kur marrëdhënia seksuale me dhunë kryhet edhe për motive vagabontazhi, shpesh nga grupe vagabondësh.

3. Veprimet hetimore dhe masat kriminalistike në zbulimin e krimeve seksuale
Në hetimin e krimeve seksuale duke ndjekur një radhë të caktuar, kryhen këto veprime: pyetja e së dëmtuarës, këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertimi mjekoligjor dhe psikiatrik-ligjor i së dëmtuarës, pyetja e dëshmitarëve, ekzaminimi mjekoligjor i personit të dyshuar, pyetja e personit të dyshuar (të pandehurit). Këto veprime hetimore, së bashku, bëjnë të mundur të mblidhen të dhënat, në bazë të të cilave krijohet pasqyra e ngjarjes konkrete, nëse ajo ka ndodhur me të vërtetë.

4. Këqyrja dhe ekspertimi
4.1 Një ndër trajtimet e veçanta në zbulimin e provave dhe sqarimin e krimeve seksuale është edhe këqyrja e vendit të ngjarjes në marrëdhëniet seksuale me dhunë. Vendi i ngjarjes me rastin e marrëdhënieve seksuale me dhunë është pasqyrë e kryerësit. Ai është psikologjia e krijuar e kryerësit dhe viktimës së

Faqe 19

dhunimit. Këqyrja e përgjithshme e vendit të ngjarjes mund të tregoj rrethana të volitshme për kryerjen e dhunimit, veprimet përgatitore etj. 4.2 Mund të merret përgjigja edhe në pyetjet: A ka mundur dikush ta dëgjoj thirrjen e viktimës për ndihmë? Si dhe kur është larguar kryerësi nga vendi i ngjarjes? Etj. Me rëndësi të veçantë është pyetja se: Çfarë gjurmë është dashur ti merr kryesi me vete nga vendi i ngjarjes? Në rastin e marrëdhënieve seksuale me dhunë duhet pasur kujdes që këqyrja e vendit të ngjarjes mos të zbatohet në hapësirën e ngushtë të kufizuar brenda të cilës është kryer dhunimi, por edhe në rrethin e afërt dhe të largët të vendit të ngjarjes. 4.3 Këqyrja e vendit të ngjarjes në marrëdhëniet seksuale me dhunë, si rregull kryhet menjëherë pas pyetjes së të dëmtuarës. Ky veprim hetimor ka për qëllim që: 4.3.1 të verifikojë nëse përputhen thëniet e së dëmtuarës me mjedisin e vendit të ngjarjes; 4.3.2 të zbulojë gjurmë, prova materiale, që provojnë dhunën e përdorur për marrëdhënie seksuale; 4.3.3 Të gjejë gjurmë që vërtetojnë ardhjen e fajtorit në vendin e përdhunimit si gjurmë këmbësh, duarsh, mjetesh transporti, sende personale etj.

PJESA 9 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË AKSIDENTEVE TË TRAFIKUT
1. Kuptimi i aksidenteve të trafikut
1.1 Qarkullimi i mjeteve të transportit rrugor të të gjitha llojeve dhe të këmbësorëve rregullohet me ligje të posaçme. Sipas rregullave, transporti në rrugët publike duhet të zhvillohet në atë mënyrë që të mos rrezikojë, të pengojë trafikun, mos t’i dëmtojë edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik, si dhe mos ta pengojë trafikun përtej masave të domosdoshme. 1.2 Aksidenti i trafikut mund të definohet si fatkeqësi e shkaktuar me rastin e ndeshjes së njërit apo më shumë automjeteve në trafik, me ç’rast shkaktohen dëme materiale, dëmtime trupore apo vdekje të njerëzve ose rrezikohet trafiku. 1.3 Në një kuptim më teknik, aksidentet rrugore janë ngjarje të cilat ndodhin në rastin kur kemi:

Faqe 20

1.3.1 Përplasje mjetesh 1.3.2 Dalje të mjetit nga rruga 1.3.3 Shtypje ose përplasje të këmbësorëve 1.4 Shkaku kryesor i ndodhjes së aksidenteve nuk është moskryerja e manovrave të nevojshme nga drejtuesi i automjetit, por moskryerja e tyre në kohën dhe momentin e duhur, që sjellë për pasojë përplasjen e mjetit ose daljen e tij jashtë rrugës. Aksidentet automobilistike mbi bazën e pasojës së ardhur dhe shkallës së dëmit të shkaktuar ndahen në: 1.4.1 Aksidente automobilistike ku janë përfshirë një ose më shumë mjete e nga përplasja e tyre ka ardhur si pasojë humbje e jetës, ose dëmtimi i shëndetit të një ose më shumë personave si dhe dëmtime të konsiderueshme të automjeteve; 1.4.2 Humbje e jetës ose dëmtimi i shëndetit i një ose më shumë personave si pasojë e përplasjes me mjetin që ka shkaktuar aksidentin; 1.4.3 Përplasja e automjetit me një ose disa persona këmbësorë, biçikletë, drejtues kafshësh ose përdorues të tjerë të rrugës dhe si pasojë ndodhë humbja e jetës ose dëmtimi i shëndetit të një personi; 1.4.4 Përplasja dhe shtypja e një ose disa personave këmbësorë me automjetin që sjell si pasojë dëmtimin e shëndetit apo humbjen e jetës së tyre. 1.5 Si detyrë parësore e policisë është marrja e informacioneve për ngjarjen e ndodhur në territorin e shërbimit. Specifike nga ngjarjet e tjera, për aksidentet automobilistike, këto informacione sigurohen: 1.5.1 Nga salla e informacionit të organit të policisë; 1.5.2 Nëpërmjet konstatimit nga vetë agjentët e policisë rrugore gjatë kontrollit rutinë në territorin e shërbimit; 1.5.3 Nga informacioni që jep vetë drejtuesi i mjetit që ka kryer aksidentin; 1.5.4 Nga kontakti me drejtues të mjeteve të tjera të cilët njoftojnë për ngjarjen. 1.6 “Vendngjarje” sipas kuptimit të përgjithshëm kriminalistik, dhe në rastin e vendit të ngjarjes te aksidentet kriminalistike, është jo vetëm vendi ku ka ndodhur vepra penale, por edhe vendi ku janë zbuluar rrethanat që lidhen me veprën penale dhe pasojat e ardhura prej saj, të tilla si: vendi i zbulimit të dëmtuarve, gjurmët e automjetit të larguar nga vendi i ngjarjes, gjurmët e protektorëve të makinës, vendi ku gjendet mjeti i braktisur nga drejtuesi i saj pas kryerjes së aksidentit etj.

2. Këqyrja e vendit të ngjarjes

Faqe 21

2.1 Detyrat konkrete të organit procedues me rastin e aksidentit të komunikacionit janë: 2.1.1 Sqarimi i rrethanave që kanë të bëjnë me vendin e ngjarjes si: përcaktimi i gjerësisë së rrugës, përcaktimi i intensitetit të lëvizjes, i gjendjes së rrugës, i këndit të shikimit etj; 2.1.2 Sqarimi i rrethanave që kanë të bëjnë me shpejtësinë e lëvizjes, me gjendjen teknike të automjetit, me gjendjen psikofizike të drejtuesit të automjetit; 2.1.3 Sqarimi i rrethanave që kanë të bëjnë me drejtimin që mori viktima kur mori lëvizjen nga e majta ose nga e djathta, me vendin dhe largësinë kur ndodhej para ngjarjes, me shpejtësinë e lëvizjes nga një pikë në tjetrën. 2.2 Organi procedues duhet të shkojë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ti zhvillojë veprimet e para hetimore para se të ndryshohet gjendja dhe të largohen dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen. Veprimet e para hetimore janë: këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e automjetit; këqyrja e drejtuesit të automjetit; këqyrja e kufomës, marrja dhe këqyrja e rrobave të të dëmtuarit, ekspertimi mjekoligjor i të plagosurit, pyetja e drejtuesit të automjetit e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve që e kanë parë ngjarjen. 2.3 Nëpërmjet pyetjes së shkurtër të personave që e kanë ruajtur vendin e ngjarjes, shoferit dhe dëshmitarëve që e kanë parë zhvillimin e saj, krijohet një pasqyrë e ngjarjes së ndodhur dhe kufizohet territori ku ka ndodhur ajo. 2.4 Sqarimi i mekanizmit të ngjarjes së krimit dhe i shkaqeve të tij që në çastin e këqyrjes së vendit të ngjarjes e zgjidh problemin e përgjegjësisë penale të drejtuesit të automjetit. Kjo këqyrje, e kryer shpejt dhe me cilësi, ndihmon për të përcaktuar dhe për të cilësuar shumë rrethana, si: 2.4.1 Vendin ku ka ndodhur; 2.4.2 Kufijtë e këtij vendi; 2.4.3 Kohën kur ka ndodhur; 2.4.4 Natyrën dhe mekanizmin e ngjarjes (shkelje, përplasje) 2.4.5 Shpejtësinë e lëvizjes së automjetit dhe këmbësorit; 2.4.6 Masat që ka marrë drejtuesi për ta mënjanuar ngjarjen; 2.4.7 Gjurmët që ka lënë automjeti; 2.4.8 Lëndët që kanë rënë nga automjeti; 2.4.9 Cilfat e xhamave të thyer; 2.4.10 Defektet që ka pësuar vetë automjeti; 2.4.11 Gjendja e shenjave tregues, etj.

3. Kërkimi i automjeteve të larguara nga vendi i ngjarjes
Shoferët shpesh ikin nga vendi i ngjarjes. Në praktikë, kanë ndodhur raste kur automjeti, pasi ka shtypur personin, është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Kërkimi i tij është i detyrueshëm. Në radhë të parë, organi procedurës ka për detyrë të sqarojë nëse ndonjë dëshmitar e ka parë ngjarjen dhe ka mundur të

Faqe 22

vërë re targën e automjetit, tipin, llojin dhe ngjyrën e tij. Në bazë të këtyre të dhënave dhe gjurmëve të lëna nga automjeti, organi procedues porosit organet e kontrollit rrugor për kërkimin e tij. Kjo arrihet në bazë të gjurmëve që tregojnë drejtimin e ecjes, spërkave të ujit e të baltës, të cilat automjeti i flak përpara në drejtimin e ecjes së tij; pikave të vajit e të lëngjeve tjera që bien nga automjeti në ecje nëpër tokë, të cilat marrin formë ovale me majën e drejtuar nga drejtimi i ecjes së automjetit; shkopi i thyer, i cili i ka skajet e tyre në drejtimin e ecjes; shenjat e rrotave në kthesë, ku ndërmjet të parave me të prapmet formohet një kënd që vjen duke u zgjeruar në drejtim e ecjes së automjetit, gjurmët e frenimit, të cilat e kanë fundit nga drejtimi i ecjes etj.

4. Eksperimenti dhe ekspertimi i aksidentit të trafikut rrugor
4.1 Eksperimenti bëhet për ta verifikuar mënyrën se si janë formuar gjurmët që kanë lënë pjesët e ndryshme të automjetit te viktimat (në trup dhe në rroba) ose gjurmët që janë shkaktuar nga përplasja e dy automjeteve; për të saktësuar nëse drejtuesi i automjetit, i dëmtuari, dëshmitari i kanë perceptuar mirë rrethanat e ngjarjes (nëse kanë parë mirë, nëse janë verbuar nga ndriçimi, nëse kanë pasur shkëmbim sinjalesh etj). 4.2 Ekspertimi autoteknik bëhet për ti sqaruar këto çështje: cila pjesë e automjetit e ka goditur pengesën (njeriun ose objektin tjetër); me çfarë shpejtësie ka ecur automjeti para ngjarjes dhe nëse ka frenuar; a mund të ndalohej automjeti me anë të frenimit në atë shpejtësi që kishte në atë rrugë të caktuar para se të arrinte të objekti të cilin e ka shtypur; a ka të dhëna teknike se ngjarja ka ardhur nga defekti i sistemit të frenimit, sistemit të drejtimit, të ndriçimit, të sinjalizimit etj, dhe nëse këto defekte kanë ekzistuar para se të ndodhte ngjarja; si është gjendja e rrugëve, urave, dhe e shenjave treguese (mungesa e tyre) në vendin ku ka ndodhur ngjarja; çfarë rëndësie kanë këto defekte për ngjarjen.

5. Format e veçanta të aksidenteve të trafikut
5.1 Zhvillimi i ekonomisë dhe i kulturës dhe shtimi i numri të popullsisë shpie jo vetëm në rritjen e numrit të mjeteve të transportit automobilistik, urban interurban e të mallrave, por edhe në dendësinë e lëvizjes së tyre. Ky zhvillim kërkon edhe që kujdesi i drejtuesve të automjeteve, i drejtuesve të ndërmarrjeve, i punonjësve të qarkullimit rrugor, i opinionit publik për parandalimin e aksidenteve të rritet. Përveç këtyre, aksidente të formave të veçanta ndodhin edhe në kushte dhe rrethana tjera, siç janë: aksidentet ajrore, aksidentet në komunikacionin hekurudhor etj. 5.1.1 Aksidentet ajrore: Kur ndodhin katastrofat në transportin ajror, punonjësit e policisë dhe të organi procedues duhet të dalin sa më parë ne vendin e ngjarjes, që ti pengojnë ndryshimet eventuale dhe asgjësimin e objekteve dhe gjurmëve të veprës penale. Në bazë të theksimit të gjendjes në vendin ngjarjes, ekspert do të nxjerrin njoftime dhe përfundime të çmueshme lidhur me ecuritë dhe shkaqet e katastrofës ajrore. Grupi i hetimit tek katastrofat ajrore duhet të përfshijë, përveç pjesëtarëve të zakonshëm, edhe specialistë për zjarre dhe eksplozione, specialistë për sabotime dhe diversione si dhe ekspertë të aviacionit. Kufomat dhe të plagosurit duhet mundësisht së pari të fotografohen e pastaj të mënjanohen nga vendi i

Faqe 23

ngjarjes. Kujdes i veçantë i kushtohet sigurimit, fiksimit të gjurmëve në tokë, në godina, në pemë etj dhe në territorin sa më të gjerë të vendit të ngjarjes. Ekspertët do ta kontrollojnë me kujdesin më të madh gjendjen e makinës dhe aftësinë e saj për lëvizje në fazën e fundit të fluturimit. Këqyrja e vendit të ngjarjes duhet të përqendrohen në aspekte të veçanta: në grumbullimin e të gjitha pjesëve të avionit dhe në rikonstruimin e këtyre pjesëve për përcaktimin e shkaqeve që kanë shpie gjer tek katastrofa. 5.1.2 Aksidentet hekurudhore: Aksidentet në komunikacionin hekurudhor mund të klasifikohen në mënyra të ndryshme. Sipas kompleksit dinamik, ato mund të radhiten në këto kategori: rrëshqitje nga binarët, etj. Sipas shkakut, aksidentet dallohet me shkaktimin e veprimit të njeriut, me fuqinë e lartë të rastit. Në pikëpamje kriminalistike, posaçërisht janë interesante ato aksidente për të cilat është përgjegjës njeriu. Ato në vete fshehin cilësitë e veprës penale. 5.1.2 Aksidentet e tjera: Përveç aksidenteve ajrore dhe hekurudhore dhe aksidenteve në trafikun rrugor, ndodhin edhe aksidente në lundrim. Aksidenti në lundrim është lloj i posaçëm i aksidentit në komunikacion. Sipas cilësive që ka, aksidenti në lundrim është ngjarje e jashtëzakonshme që ka pësuar lidhur me lundrimin, në të cilin kanë marrë pjesë së paku një nga objektet lundruese, i cili, si pasojë ka pasur vdekjen ose plagosjen e një apo më shumë personave, ose dëmtime materiale të dimensioneve të mëdha.

PJESA 10 METODIKA E ZBULIMIT TË VJEDHJEVE
1. Kuptimi dhe llojet e vjedhjeve
Një ndër veprat penale kryesore të drejtuar kundër pasurisë (sendeve) të personave fizikë, të personave juridik apo të shtetit është vjedhja e njohur historikisht në vende të ndryshme të botës dhe e përhapur kudo. Objekt i krimit të vjedhjes mund të jenë vetëm sendet e luajtshme, që përbëjnë entitet material për plotësimin e nevojave të njeriut. Mendimi Teorik i përgjithshëm është që objekt material i vjedhjeve mund të jenë vetëm sendet që kanë vlerë ekonomike dhe që shërbejnë për plotësimin e nevojave të njeriut dhe jo kur ato janë hedhurina. Nga ana objektive, vjedhja e pasurisë së luajtshme (sendeve të tjetrit, të personit juridik dhe të shtetit) kryhet me veprime të kundërligjshme, në mënyrë të fshehtë ose të hapur, kundër vullnetit të pronarit, personit që e ka në dorësi, e ruaj, ose e administron sendin. Nga ana subjektive, krimi i vjedhjes së pasurisë (sendeve) kryhet vetëm me dashje direkte dhe me qëllim të posaçëm për të nxjerr përfitim material për vete ose për persona të tjerë.

2. Vjedhjet nga gjepat

Faqe 24

Vjedhjet nga gjepat janë ato vjedhje kur kryesit vjedhin sende me vlerë (të holla, ora dore, portofole) nga rrobat e të dëmtuarit. Pasi këto sende, në rastet më të shpeshta vidhen nga xhepat, vjedhësit e tyre emërtohet “xhepash”. Vjedhje nga xhepat bëjnë zakonisht profesionistët. Vjedhjet nga xhepat bëhen kryesisht në ato vende ku ka shumë njerëz dhe ku krijohen tollovi si, p.sh në stacionet hekurudhore, stacionet e autobusëve, në tregje, panaire, qendra tregtare, shitore, shfaqje sportive. Zbulimi dhe sidomos të provuarit e vjedhjeve nga xhepat është punë shumë e vështirë, sepse te këto vjedhje nuk ka kurrfarë gjurmësh.

3. Vjedhja në shitore (lokalet tregtare)
Me të lëshuar në punë të shitoreve, gati në të njëjtën kohë paraqiten edhe vjedhjet në to. Këto vjedhje bëhen në vetëshërbime, në shtëpi të mallrave dhe në shitoret e vjetërsirave.

4. Vjedhjet me thyerje
4.1 Vjedhja e pasurisë me thyerje bëhet me këto metoda: me atë thyerjesh të pengesave ku ruhet pasuria; me anë dokumentesh të falsifikuara nga një person i jashtëm; me anë dhune ndaj personave që e kanë në dorësi ose e ruajnë pasurinë e personat e jashtëm. Metoda më e përhapur është vjedhja me thyerje. Vjedhja me thyerje nga personat e jashtëm, ashtu si edhe vjedhja e personave në detyrë, kryhet në mënyrë të thjeshtë dhe në mënyrë të kualifikuar me mjete teknikoshkencore dhe me metoda të rafinuara maskimi. 4.2 Zbulimi i sa më shumë të dhënave, gjurmëve, provave materiale, duke përdorur metoda e mjete teknik-shkencore në hetimin e vjedhjeve me thyerje, merr një rëndësi të veçantë. Çështja penale fillon: kur zbulohen sendet e vjedhura, kur bëhet kallëzimi nga persona që kanë parë ose që e kanë zbuluar të parët vjedhjen; kur ka të dhëna nga organet e rendit publik. Në bazë të këtyre materialeve kryhen veprimet e para hetimore dhe veprime të tjera. Këto veprime përfshijnë: 4.2.1 Këqyrjen e vendit të ngjarjes; 4.2.2 Pyetjen e dëshmitarëve të parë; 4.2.3 Kontrollimin e banesave të personave të dyshuar; 4.2.4 Pyetjen e të ndaluarve kur janë kapur në flagrancë me sende të vjedhura; 4.2.5 Ekspertimin e gjurmëve të thyerjes ose të gjurmëve të tjera që janë lënë gjatë hyrjes dhe daljes; 4.2.6 Ekspertimin mjekoligjor të viktimës, kur vjedhja është kryer me dhunë ose armë dhe kur viktimës i janë shkaktuar plagë; 4.2.7 Pyetjen e personit të dëmtuar kur e lejojnë kushtet; 4.2.8 Kërkimin e sendit të vjedhur; 4.2.9 Caktimin e inventarizimit të depos, të magazinës, të objektit ku është kryer vjedhja etj.

5. Vjedhja me dhunë dhe vjedhja me armë

Faqe 25

5.1 Vjedhja me dhunë: Një formë tjetër e vjedhjes është vjedhja me dhunë (grabitja) me të cilën kuptohet vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim dhune nga ana e kryerësit. Grabitësi përdor dhunë, tortura, vrazhdësi dhe mizori të ndryshme, por shpeshherë edhe e vret personin që ta paaftësojë për rezistencë e pastaj vjedh në dëm të tij. Grabitja paraqet vepër më të rëndë kriminale kundër pasurisë. Në rastet e grabitjeve, gjithmonë merret ndonjë objekt pasuror. 5.2 Vjedhja me armë: veq vjedhjes me dhunë ekziston edhe vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim arme. Siq është theksuar më parë, subjekt i krimit të vjedhjes me armë mund të jetë çdo person që ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm. Kurse, nga ana objektive, krimi i vjedhjes së pasurisë së personit fizik kryhet i shoqëruar me përdorim arme.

PJESA 11 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË KRIMINALITETIT EKOLOGJIK
1. Kuptimi dhe shkaqet e kriminalitetit ekologjik
1.1 Fenomeni i ndotjes së ambientit jetësor në fund të shekullit XX ka marrë aso dimensionesh që pa dyshim paraqet një nga rrezikshmëritë më të mëdha me të cilat ballafaqohet njeriu. Me ndotje nënkuptojmë ndryshimin kualitativ dhe kuantitativ të veçorive fizike, kimike dhe biologjike të komponentëve kryesor (ajrit, ujit, tokës, ushqimit etj) të ambientit jetësor, i cili shpie drejt çrregullimit të ligjshmërive të ekosistemit, të bazuar në mekanizmat e vetë rregullimit. Këto ndryshime veprojnë sot, por munden edhe në të ardhmen të veprojnë në masë edhe më të madhe në kuptim të keqësimit të kushteve shëndetësore ekonomikeprodhuese etj, në qoftë se nuk merren masat e kontrollit dhe të mbrojtjes. Rritja gjithnjë e më e madhe e neurozave të njeriut bashkëkohore tregon se kuptimi i ndotjes është shumë i gjerë dhe se përfshin edhe dimensionin psikologjik. 1.2 Me aktiviteti e vet, njeriu ndot dhe degradon ambientin jetësor në mënyra dhe intensitete të ndryshme. Kjo shkallë e ndotjes sillet nga ajo më e buta në kufirin e tolerancës deri te format të të rënda të ndotjes, të shprehura në vëllime të mëdha, ku edhe pasojat manifestohen në formë të deliktit ekologjik. 1.3 Nga të gjitha format e patologjisë sociale që e rrezikojnë ambientin jetësor, format më të rënda të rrezikimit paraqiten si vepra penale të parashikuara në kodet penale ose në dispozitat e posaçme të ligjeve të veçanta, e në thelb ato paraqesin kriminalitetin ekologjik. 1.4 Kriminaliteti ekologjik, si pjesë e kriminalitetit të gjithëmbarshëm bashkëkohor, posedon edhe specifikat e veta që e karakterizojnë kriminalitetin bashkëkohor siç janë: masiviteti, dinamika, shkalla adekuate e organizimit, ekspansioni i përhershëm dhe prania e elementit të huaj si dhe shkathtësia e përshtatjes së marrëdhënieve posa të krijuara shoqërore-politike e ekonomike.

Faqe 26

1.5 Tre faktorë themelor kanë kontribuar në ndotjen më të shpejtë të ambientit jetësor: 1.5.1 shkalla gjithnjë e më e madhe e përfshirjes së begative natyrore në prodhimtarinë industriale dhe prodhimi gjithnjë e më i madh i kompozimeve të ndryshme kimike; 1.5.2 rritja e shpejtë dhe e pakontrolluar e popullsisë së njeriut, sidomos atij urban; dhe 1.5.3 përdorimi gjithnjë më i madh i materieve sintetike, të cilat nuk mund të zbërthehen nëpërmjet rrugëve biologjike dhe fizike, përdorimi i mjeteve mbrojtëse në prodhimtarinë industriale dhe teknologjinë e ushqimit (pesticidet dhe aditivet), si dhe prodhimi gjithnjë e më masiv i medikamenteve.

2. Format e rrezikimit të mjedisit jetësor dhe ndikimi i tyre në paraqitjen e kriminalitetit ekologjik
2.1 Me vepra penale kundër mjedisit kuptohen ato vepra (veprime ose mosveprime) të kundërligjshme që cenojnë mbrojtjen e mjedisit (ajrit, ujit dhe tokës) nga ndotja, të kryera me faj dhe të parashikuara shprehimisht në legjislacionin penal. Një ndër veprat penale kundër mjedisit është: Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve tjera toksike, radioaktive, e bërë përtej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale. 2.2 Sistemet alternative të klasifikimit të ndotjes apo të ndotësve janë: 2.2.1 klasifikimi sipas natyrës së ndotësve (natyra kimike); 2.2.2 ndotësit inorganikë; 2.2.3 ndotësit organikë. 2.3. Sipas gjendjes fizike ndotësit e ndryshëm ndahen në: ndotës gazorë, ndotës të lëngët dhe ndotës së ngurtë. Sipas veçorive ndahen: tretshmëria në ujë, vaj dhe yndyra; shkalla e dispercionit dhe diluzionit; biodegrabiliteti; qëndrueshmëria, rezistenca në ujë, ajër, tokë ose në organizma të gjallë; rrezaktiviteti me substanca të tjera. Sipas sektorit të ndotur të ambientit ndahen në: ndotësit e ajrit, ndotësit e ujit, ndotësit e tokës dhe ndotësit e ushqimit. Sipas burimit ndahen në: produktet e djegies së lëndëve djegëse, produktet me prejardhje industriale, produktet komunale, produktet me prejardhje bujqësore dhe prodhimi i armëve (toksine bakteriologjike) etj.

3. Metodika e zbulimit dhe e të provuarit e veprave penale të kriminalitetit ekologjik
Në praktikë janë të pranishme probleme të shumta që vështirësojnë dhe komplikojnë njohuri më të plota mbi gjendjen ekologjike dhe të vërejturit e formave të reja të manifestimit të veprave ekologjike. Si burim njohurish më së shpeshti paraqiten mjetet e informacionit, veprimtaria e organeve inspektuese dhe enteve

Faqe 27

përkatëse, si dhe aktiviteti operativ i policisë. Për kryerjen e veprave penale të kriminalitetit ekologjik mund të mësojmë edhe nga kallëzimet e qytetarëve që jetojnë në territorin e rrezikuar si dhe nga kallëzimet anonime dhe me pseudonime Aktiviteti duhet drejtuar në mbledhjen e informacioneve fillestare dhe me njohuritë mbi faktet që tregojnë ekzistimin e veprës penale, pastaj në drejtim të zbulimit, sigurimit dhe fiksimit të gjurmëve të veprave penale dhe provave të tjera relevante. Duhet, pra, me kujdes të mblidhen, seleksionohen informacionet nga burimet e ndryshme. Këto burime janë: informacionet e qytetarëve, kallëzimet e organeve inspektuese, vëzhgimi i drejtpërdrejtë i policisë, zbatimi i metodave indiciale, zbatimi i mjeteve operative-teknike, puna në sqarimin e rasteve konkrete, mjetet e informacionit publik dhe të përfolurit publik.

PJESA 12 METODIKA E ZBULIMIT DHE SQARIMIT TË KRIMINALITETIT KOMPJUTERIK
1. Kuptimi i kriminalitetit kompjuterik
1.1 Kriminaliteti kompjuterik është dukuri tejet e re. Nocioni i kriminalitetit kompjuterik, si dhe vetë dukuria, është paraqitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Von zur Muhlen (1973), i pari e ka shkruar punimin e gjerë shkencor mbi kriminalitetin kompjuterik, duke përdorur definicionin e gjerë mbi këtë dukuri, e cila, sipas tij, përfshin të gjitha sjelljet në të cilat kompjuteri është mjet dhe qëllim i veprimtarisë kriminale. 1.2 Funksioni i kompjuterit nga aspekti kriminalistik mund të manifestohet në katër forma themelore: 1.2.1 Kompjuteri si mjet i kryerjes së veprës penale, ku kryerësi e përdor kompjuterin për ta kryer veprën e caktuar penale, që më së shpeshti është mashtrimi, vjedhja, shpërdorimi etj; 1.2.2 Kompjuteri si objekt i atakimit, me ç’rast kompjuterët dhe informacionet e vendosura në të janë qëllim i atakimit kriminal; 1.2.3 Kompjuteri si mjet për organizimin, planifikimin, udhëheqjen dhe realizimin e aktiviteteve kriminale; 1.2.4 Kompjuteri si mjet të cilin e shfrytëzon policia në parandalimin, sqarimin dhe të provuarit e veprës penale.

Faqe 28

2. Karakteristikat themelore të kriminalitetit kompjuterik
2.1 Nga përmbajtja e definicionit të kriminalitetit ekonomik, mund të konkludohet se ekzistojnë forma të ndryshme të paraqitjes së tij si dhe mundësi tejet të mëdha të formave të reja të paraqitjes së kësaj dukurie. Një nga karakteristikat e kriminalitetit kompjuterik është se në fushën e kriminalitetit kompjuterik është i pranishëm i ashtuquajturi “numër i errët”, që do të thotë se një numër i madh i veprave të kryera penale kompjuterike mbetet e pazbuluar. Karakteristikë tjetër është se kryerësit e veprave penale të kriminalitetit kompjuterik nuk mund të njëjtësohen me kryerësit e formave klasike të kriminalitetit, për shkak të specifikave të ndryshme të cilat i veçojnë ata në kryerjen e këtij lloji të krimeve. Personat që kryejnë vepra penale të kriminalitetit kompjuterik duhet të posedojnë fond përkatës të njohurive dhe shkathtësi nga fusha e teknikës kompjuterike dhe informatikës kriminalistike. Këtu është fjala kryesisht për persona që bëjnë pjesë në inteligjencën teknike, veprimtaria kriminale e të cilëve nuk është e lehtë të zbulohet. 2.2 Kryerësit e krimeve kompjuterike sipas agjencisë federale të kërkimeve të SHBA-së ndahen në tri kategori: 2.2.1 Kategorinë e Parë: e përbëjnë individët të cilët futen në kompjuter të huaj vetëm sa për të kënaqur dëshirën apo merakun e tyre për ti vërtetuar gjoja aftësitë që ata kanë me manipulimin dhe përdorimin e kompjuterit. Këta persona zakonisht janë të rinj. 2.2.2 Kategorinë e Dytë: e përbëjnë personat të cilët në mënyrë të përgatitur dhe të organizuar futen në sistemet dhe programet e kompjuterëve të tjerë apo qendrave kompjuterike, me qëllim që ti shkatërrojnë, çrregullojnë, ti ndryshojnë programet, ti qesin jashtë përdorimit qendrat dhe programet e ndryshme kompjuterike. Këto veprime ndërmerren jo për lakmi materiale, por për shkak të rivalitetit, smirës, konkurrencës individuale, hakmarrjet etj. 2.2.3 Kategorinë e Tretë: e përbëjnë personat që kryejnë krime kompjuterike me qëllim të përfitimet dhe realizimit të interesave financiare. Shënimet apo të dhënat e përvetësuara nga kryerja e krimit kompjuterik këta persona më pas i shesin. Këto veprime cilësohen si veprime më të rënda kriminale. Kryerësit e këtyre krimeve quhen “hacker” ndërsa veprimi i depërtimit të tyre në kompjuter quhet “hacking”.3

3. Format e paraqitjes së kriminalitetit kompjuterik
3.1 Për zbulimin e suksesshëm dhe sigurimin e provave të caktuara, përveç përcaktimit të nocionit të kriminalitetit kompjuterik dhe përpunimit të karakteristikave të tij themelore, rëndësi të veçantë ka kërkimi i formave të paraqitjes së tij dhe konkretizimi i tyre në vepra të caktuara penale. 3.2 Llojet më të shpeshta të krimeve të lidhura me kompjuter janë:
Ndarja e kryerësve të krimeve kompjuterike është marrë nga libri “Kriminologjia” i autorit Ragip Halili, Prishtinë 2011.
3

Faqe 29

3.2.1 Mashtrimet kompjuterike: janë format më të vjetra të keqpërdorimit të teknologjisë kompjuterike. Duke marrë në konsideratë numrin dhe vendim që kanë në strukturën e këtij fenomeni kriminal, ato janë forma më të rrezikshme shoqërore të kriminalitetit kompjuterik. Zakonisht konsistojnë në futjen ose regjistrimin e të dhënave të pasakta me qëllim që vetes ose dikujt tjetër si sigurojnë dobi të kundërligjshme pasurore. 3.2.2 Vjedhja e informacionit: është një nga format e shpeshta të kriminalitetit kompjuteri. Rrezikshmëria që kjo formë e shkakton nuk është e vogël në krahasim me ato që u përkasin mashtrimeve kompjuterike. Mundësitë teknike për vjedhjen e informacioneve me ndihmën e kompjuterit janë tejet të mëdha, posaçërisht nëse kihet parasysh fakti që bankat e të dhënave kompjuterike, përmes lidhjeve telefonike dhe lidhjeve të tjera, mund të depërtojnë nga cilido vend i botës. Pasojat më të mëdha për të dëmtuarit kanë rastet e spiunazhit ekonomik ap vjedhjet e atyre informacioneve që paraqesin fshehtësi afariste e të cilat i jepen konkurrentit që i sigurojnë përparësi vendimtare në treg. 3.2.3 Sabotimi kompjuterik: kompjuteri dhe pajisja kompjuterike mund të jenë të atakuara në mënyra të ndryshme, duke filluar nga ato që kanë karakter huligan, qëllim hakmarrje të ish të punësuarve që janë larguar nga puna, deri te atakimet terroriste, të cilët janë të gatshëm për asgjësimin e bankave të caktuara të të dhënave. Kryerësit e këtyre delikteve janë kryesisht personat që disponojnë shkallë të lartë të njohurive teknike. 3.2.4 Hyrja e paautorizuar në sisteme kompjuterike: Ky veprim konsiston në anashkalimin e shkathtë të të gjitha mekanizmave mbrojtëse dhe hyrjen në centralin e sistemit kompjuterik. Si kryerës të këtyre delikteve paraqiten ekskluzivisht “Hakerët” të cilët dëshirojnë që publikimit ta demonstrojnë fuqinë e vet dhe t’ia bëjnë me dijë tërë botës dobësitë e të mëdhenjve.

4. Aspekti penal juridik i kriminalitetit kompjuterik
Karakteri specifik i kriminalitetit kompjuterik, rrezikshmëria e tij e madhe shoqërore dhe rritja e përhershme e keqpërdorimit të tyre kërkojnë që kjo problematike të rregullohet me dispozita të caktuara ligjore. Më këtë, para së gjithash duhet kuptuar nevojën e inkriminimeve të reja në kode penale, të cilat do të sanksionin në mënyrë adekuate këtë veprimtari kriminale. Mirëpo, shpejtësia në të cilën bëhet reforma ligjore në këtë drejtim është jo e përshtatshme, duke e krahasuar me kohën në të cilën paraqiten veprat penale të kriminalitetit kompjuterik. Pothuajse është e pamundur që krahas zhvillimit dhe paraqitjes së llojeve të ndryshme të veprave penale të kriminalitetit ekonomik të arrihet që me kohë të rregullohet legjislacioni penal, si mbrojtje penalo-juridike nga këto dukuri të dëmshme shoqërore. E drejta penale i njeh konceptet e sjelljes së paligjshme dhe mashtruese të bërë me qëllim dhe atyre pa qëllim, kështu që, ligjet penale që kanë të bëjnë me krimet kompjuterike do të duhej të bënin dallimin mes keqpërdoruesit aksidental të

Faqe 30

sistemit kompjuterik, keqpërdorimit të bërë nga neglizhenca dhe keqpërdorimit të qëllimshëm, qasjes së paautorizuar një sistemi kompjuterik apo keqpërdorimit të tij.

5. Specifikat e zbulimit dhe të provuarit të kriminalitetit kompjuterik
Në zbulimin e kriminalitetit kompjuterik duhet ti kushtohet kujdes i veçantë kontrollit adekuat, veçanërisht atyre rrethanave që janë më të prekshme nga atakimi eventual kriminal. Zbulimi dhe të provuarit e kriminalitetit kompjuterik është detyrë e vështirë dhe tejet e komplikuar. Të gjitha studimet në këtë fushë tregojnë se shkalla e vërtetë e krimeve të lidhura me kompjuterë është e panjohur, pasi që pjesa më e madhe e këtyre krimeve ose nuk zbulohet ose nuk i paraqiten autoriteteve përkatëse. Humbja e besimit të konsumatorëve në një biznes të veçantë dhe në menaxhimin e tij mund të shkaktojë humbje ekonomike edhe më të mëdha sesa ato të shkaktuara nga vetë krimi. Për më tepër, shumë menaxherë i frikësohen reperkusioneve ndaj tyre poqe se përgjegjësia për infiltrim bie mbi ta. Së pari, teknologjia e sofistikuar, kapaciteti shumë i madh për ruajtje të të dhënave si dhe shpejtësia me të cilën kompjuterët funksionojnë, krijojnë mundësinë që krimet kompjuterike shumë vështirë të zbulohen. Për dallim prej llojeve tradicionale të krimit, viktimat shpesh njoftohen nga zyrtarët për zbatimin e ligjit se kanë qenë objekt i krimit kompjuterik pasi të jetë kryer vepra penale.

Faqe 31

Sign up to vote on this title
UsefulNot useful