You are on page 1of 10

Akademik SABRI HAMITI

MONUMENTET E KULTURËS SË IDENTITETIT SHQIPTAR

1. Universaliteti e Identiteti

Universaliteti i kulturës në çanësimin e vet abstrakt, jo një herë, është barazuar në
universalitetin e njeriut. Atëherë të veçantën, pra dallimin, mos po e bëka vetëm gjuha,
për të krijuar identitetin e kulturës nacionale. Ky identitet mund të çanësohet ndoshta
vetëm në përballje me tjetrin. Në këtë vështrim përballë universalitetit, që nënkupton
rrafshimin e dallimeve, ngritet teoria e alteritetit, që artikulon dallimet, të cilat donë të
bëhen esencë (qenësi). Për rrjedhojë, ajo që në universalen duket rrethanore, në alteritet
bëhet thelbësore (qenësore), për të shpënë te teoria e autenticitetit, apo e origjinalitetit.
Fenomeni ndoshta mund të ndriçohet më lehtë me dy trajtat dhe dy kuptimet e
foljes me qenë (jam) në spanjishte. Trajta ser tregon esencën (qenësinë), kurse trajta estar
tregon gjendjen. Nëse në teorinë universale soy hombre (jam njeri) gjithmonë, në teorinë
rrethanore estoy feliz (jam i lumtur) tashti. Por, çfarë ngjet kur bëhet esenciale soy albanes
(jam shqiptar), pikërisht për të shprehur dallimin kulturor e nacional: es español (je
spanjoll). Tash, pra, esenciale bëhet nacionalja duke treguar identitetin, që do të bëhet
qenësi, dallimi që bëhet qenësi.
Jo vetëm pse e kam ndier, madje provuar gjendjen e alteritetit, por edhe pse kam
njohur njerëzit që kanë njohur këtë teori, disa herë në ballafaqimet e mia me të tjerët jam
zënë ngusht të mendoj se, pos shqipes, çka mund t’i ofroj tjetrit për të dëshmuar
identitetin e kulturës shqiptare, të dallueshme nga të tjerat. Cilat monumente të kësaj
kulture mund të dëshmojnë këtë identitet.
Pa pretenduar se kam zgjidhur enigmën, unë vetëm po shtroj provën për të duke
pasur për aleat lumturinë e kërkimit. Dhe tash për tash unë gjej tri monumente të kulturës
shqipe, që mund t’u dhurohen të huajve si shenja identifikimi, duke u përpjekur që këto
monumente t’i shoh jo të veçuara e të përfunduara, si dokumente, por si struktura të
gjalla, që në kulturën shqipe riprodhohen, pra mbahen të gjalla, duke ndërruar fytyrën,
por duke ruajtur esencën. Këto tri monumente të kulturës shqipe janë: Historia e
Skënderbeut e Marin Barletit, Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe Kângët kreshnike. Natyrisht,
përdefinimi i monumentit kulturor këtu ka parashenjën e esencialitetit, përhershmërisë,
prandaj elementi i kohës relativizohet në vështrimin kronologjik, për aq sa absolutizohet
në vështrimin abstrakt. Nëse është gjithë koha, nuk ka kuptim të diskutohet për njësinë e
matjes së saj.

2. Monumentet: Historia, Kanuni, Kânga

Tri monumentet e mëdha të kulturës shpirtërore të shqiptarëve kanë në emër nga një
shenjë diferencuese të gjinisë së shkrimit. Mbasi emri është sendi (gjëja), atëherë emrat: a)
Histori, b) Kanun dhe c) Kângë japin esencën e veprave dhe natyrën e tyre strukturore,
funksionale e destinuese, kurse përcaktuesit e tjerë japin përkatësinë e veprave në kohë e
në hapësirë. Prandaj, Historia është e Skënderbeut, Kanuni është i Lekë Dukagjinit, kurse

1
Kângët janë të kreshnikëve. Në këtë mënyrë të tri veprat, me titujt (emrat) tregojnë tipin e
tekstit: Historia – tekst referencial; Kanuni – tekst rezonues-racional; Kânga – tekst letrar-
krijues.
Para se të japim edhe disa të dhëna karakteristike për veprat, duhet të shikohet
çështja e autorësisë së tyre.
1. Historinë e Skënderbeut e shkroi shkodrani Marin Barleti, dhe kjo është vepër
autoriale e pastër, e shkruar në latinishte, gjuhë universale për kohën, me të cilën në
njëfarë dore e përforcon universalitetin kulturor e gjuhësor të veprës. Barleti është autori i
pastër i saj, aq më tepër që vepra është ndër të parat për Skënderbeun dhe autori nuk
kishte mbështetje në dokumente të shkruara, por mjaftohej të tregonte ankimet e veta për
problemet e burimeve të cilat i mbështeste në ato që kishte dëgjuar e parë vetë dhe në ato
që kishin dëgjuar e parë protagonistët e ngjarjeve, apo dëshmitarët e tyre.

Unë nuk pata në këtë rrugë asnjë udhëheqës (…) S’pata mundësi të shikoj as analet e
vjetra, as historira të reja.
***
Unë nuk kam shkruar trillime, por ato që më kanë treguar me kujdes më të
mëdhenjtë dhe ato që kanë parë me sytë e tyre disa që kanë marrë pjesë.

Por, në fillim e në fund, thurësi i tekstit, autori i saj dhe krijuesi i saj në të gjitha pikat
e referimit, është Marin Barleti.
2. Te Kanuni puna është ndryshe. Nëse nuk është autor i Kanunit Gjeçovi, atëherë
është gjysmë-autor. Me punë të pandalshme rreth tridhjetëvjeçare, ai mblodhi përvojën
kanunore në popull e krahinë për të krijuar një vepër rreptësisht të strukturuar, një vepër
me sistem të vlerësimit. Vepra përmban rregulla të jetës e të sjelljes, të besimit e të
vdekjes, por, mbi të gjitha, është një vepër mbi të drejtën qytetare (civile), të drejtën
universale, e cila si duket prej të gjithave është më e mbështetura në jetën autentike.
Duket që këtu ta ketë bazën mendimi i hedhur i Gjergj Fishtës në Parathënie, që ligjet
moderne duhet të bazohen në kanunet vendëse; dhe më tutje, që në bazë të kanuneve e të
kulturave tradicionale duhet të bëhen klasifikimet e kulturave të popujve, madje duke
ngritur një rend klasifikues e vlerësues të këtyre kulturave.
Në anë tjetër, Shtjefën Gjeçovi, duke dashur të theksojë autenticitetin e tekstit,
tregon që e kishte vjelë nga njerëz që janë të fjalës, që nuk shpifin e nuk fantazojnë.

Në shtrim të punve të këtij kanuni do të mbahem për atë shtyllë, qi s’ka pasë nevojë
për kurrnji krrabëz mje më ket ditë. Kjo shtyllë ashtë goja e kombit tonë, goja e
shqyptarit.

Më duhet me rrfye edhe se, tuj shkrue ket kanun, jam rrekë me marrë mbrapa
dishmim e kallxime të burrave të vjetër e me nderë, të burrave të pushkve të gjata e të
gjarpnushave…”

Prova është që teksti i Kanunit është popullor, mirëpo Gjeçovi ka autorësinë, jo
vetëm se e ka sistemuar veprën, por së pari pse e ka fiksuar me shkrim një tekst të folur.
Pra, këtu është dramatika gati historike kulturore e kalimit të kulturës së oralitetit në
kulturën e shkruar.
2
3. Te Kângët kreshnike jemi edhe një hap më tutje. Veprat janë krijime popullore-
gojore që mbajnë shenjat e thella të kësaj forme në strukturë e në destinim. Duke qenë
vepra kolektive, që rrinë të gjalla në kohë, ato kanë në vete edhe shenja të kohëve të
ndryshme. Bie fjala mund të njihen kohët që i përcaktojnë figurat kosmike: Dielli e Hana,
pastaj figurat mitologjike: Orët e Zanat, deri te kohët që i referohen Zotit. Kur këto kohë
trazohen në tekst, atëherë gjejmë formulën e çuditshme kur Zana e përben Zotin.
Duam të theksojmë se një formë të lëvizshme e relative të kângëve do ta bëjë
përnjëherë të qëndrueshme paraqitja e tyre në trajtën e shkruar. Edhe këtë herë, në këtë
proces të kalimit të oralitetit në shkrim, gjendet një gjysmë-autor, ta zëmë Bernardin Palaj
apo Donat Kurti. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e zgjedhjeve të varianteve më të
mira, siç janë Martesa e Mujit, Martesa e Halilit apo Vdekja e Omirit, por edhe me redaktimet
me rastin e botimit, të cilin e pranojnë autorët e parathënies te “Visaret e Kombit”.

Kângët, qí po paraqesim, janë kângët e popullit. Në kje se shifet ndoj ndrrim a ndër
êmna a ndër të shprehuna në krahasim me rapsodi të botueme deri tash, këta rrjedhë
prejse i kemi plotsueme me shka mâ të bukur kemi gjetë ndër motërzime me argument të
njinjishëm”.

Më në fund, edhe këtu ka të bëhet me procesin (krijues) kaq të ndërliqshëm të
kalimit të tekstit të folur (kënduar) në tekst të shkruar; të kalimit të kulturës popullore në
kulturë të shkruar. Nëse nuk mund të flitet shumë në këtë proces për ndërrim
strukturash, atëherë mund të flitet për ndryshim total të statusit të tekstit në komunikim.
Në këtë paraqitje është mirë të bëhen edhe disa saktësime me të dhëna.
Barleti, i lindur në Shkodër më 1460, mori formimin kulturor në Venedik, kurse
kryeveprën e vet Histori e Skënderbeut e botoi në Romë në latinisht në vitet 1508-1510.
Vepra pati botime të njëpasnjëshme në Strasburg, në Frankfurt e në Zagreb. Në shqip
këtë vepër e përktheu latinisti shqiptar Stefan Prifti. Merita e Barletit ështe se hartoi një
vepër për kryetrimin duke e ngritur atë nga heroi jetësor në hero të literaturës. Fama e
veprës u rrit për aq sa u bë një amëz e veprave kulturore e krijuese në letërsi, pikturë e
muzikë. Mund të jetë deri më sot vepra më e njohur që ka shpallur kulturën e krijimtarinë
shqiptare para të huajve.
Kanuni i Lekë Dukagjinit, mbledhë e kodifikue prej A. Shtjefën Konst. Gjeçov, u
botua në Shkodër më 1933. Vepra shoqërohet me një biografi të Pashk Bardhit për
Gjeçovin, me një Parathanie të Gj. Fishtës e me do kujtime të Faik Konicës. Ky është
botimi i parë dhe i plotë dhe duhet të kihet për bazë si referencë. Vë këtu theksin mbasi
në botime të mëvonshme të Kanunit sa herë në Kosovë e në Shqipëri janë bërë shkurtime,
sidomos duke mënjanuar Librin e parë: Kisha. Vepra e plotë e Kanunit e kodifikuar nga
Gjeçovi ka dymbëdhjetë libra.
Termin kanun, në vështrimin e tërësisë së të drejtës së pashkruar, studiuesit e sjellin
të prejardhjes greko-bizantine, që në shqip vjen nëpërmjet osmanishtes. Çabej provon që
përballë kanun e zakon (sllavisht) të vë emrin foljor shqip doket, duke e parë të dalë nga
folja duket.
Kujtoj, dhe përpiqem të provoj, që Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është vetëm “tërësia
e normave të të drejtës zakonore”, por më tepër, vepër që përmban “palcën etnike të
kombit shqiptar dhe të kulturës së tij”. Gjithnjë në këtë rrjedhë, cilësia e tij ka bërë që nga
amëza e tij të rritet një letërsi etnike shqiptare.
3
Për Kângët kreshnike duhet të mbajmë parasysh sidomos dy vëllimet e para të kolanës
“Visaret e Kombit”, që u botuan në Tiranë në përvjetorin e 25-të të Pavarësisë së
Shqipërisë, mbledhur dhe redaktuar nga Bernardin Palaj, Donat Kurti, Karl Gurakuqi e
Filip Fishta.
Ernest Koliqi, i doktoruar në Itali me temë nga epika popullore shqipe, mendon që
mbiemri kreshnike që del këtu rrjedh nga emri kreshnik, e ky nga emri kreshtë, duke
insistuar në burimsinë shqipe të emrit të ciklit, njashtu edhe të vendlindjes së tyre
autentike. Kjo provë e tij do të dokumentohet me gjallninë e këtyre Kângëve edhe kur
paralelisht me to krijohet epi i shkruar i Fishtës, Lahuta e Malcís. Kjo vetëvetiu sugjeron
fuqinë prodhore të Kângëve në letërsinë shqipe, qoftë në nivelin tematik, qoftë në nivelin
stilistik.
Prandaj, edhe qëllimi i kërkimit tonë nuk është vetëm trajtimi i formave, i diskurseve
e i domethënieve të tri monumenteve të mëdha kulturore të shqipes, por funksioni i tyre i
gjallë në këtë kulturë dhe derivimet e tyre në vepra të mëvonshme të letërsisë apo të
kulturës shqiptare. Në këtë mënyrë, dëshmohet vlera e tyre jo më vetëm si dokument, jo
më vetëm si monument, por si sistem vlerash në komunikim të gjallë kulturor, për të
përcaktuar identitetin e kësaj kulture.

3. Diferencimi i diskurseve

1. Historia e Skënderbeut është e përbërë nga diskursi historik. Duke u nisur nga e dhëna
që diskursi historik është shkrim referencial, madje një mënyrë për të njohur, atëherë kërkimi
na shpie te autori, për të parë si e inauguron ai metodën e vet.
Barleti në hyrje të veprës së vet deklaron: “Unë nuk kam shkruar trillime”, duke
shprehur kërkesën që të jetë i besueshëm (pra, jo i vërtetë) gjatë tregimit të ngjarjeve. Kjo do
të thotë që mundimet e tij më tepër lidhen me thurjet e ligjërimit sesa me kërkimin e
referencës, që do të thotë se teksti i tij do të thuret nëpërmjet fiksionit të fakticitetit. Kjo
është rrugë që nëpërmjet imagjinatës të arrihet te realja. Kjo mënyrë e ndërtimit të tekstit
të Barletit do të bëhet një paradigmë për gjithë literaturën skenderbejane, qoftë kjo e
ligjërimit historik apo e ligjërimit letrar.
Atëherë, çfarë ngjet me referencën, a mund të mbulohet kjo me iluzionin referencial?
Duket se po. Diskursi historik mjaftohet me të dhënën se ajo për të cilën flet ka ndodhur
dhe kjo lidhet më atë që quhet efekt i reales. Kjo madje bartet si kriter i vërtetësisë apo
besueshmërisë. (Në Prishtinë botimi i të njëjtit tekst për Skënderbeun: me paratekst
monografi e roman. Lexuesi e do monografinë, se ka fakticitet, e jo romanin, sepse është
fiksion).
Do theksuar, duke përmbledhur, që vepra e Barletit sado me një diskurs historik,
bashkë me iluzionin referencial, që në fillim e në fund është lexuar edhe si tekst i fiksionit.
2. Diskursi rezonues e pragmatik është karakteristik për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Në të
dëshmohet më së qarti çfarë ngjet me gjuhën e me ligjërimin kur fjala bëhet koncept dhe
kur vlera e saj e veçantë duhet të mbetet e paprekshme, e palënduar në tërësinë e sistemit,
i cili nuk është më vetëm sistem i shenjimit, por sistem i vlerave. Dhe një hap më tutje,
sistemi i vlerave bëhet masë e detyrimit. Këtu fjala është sendi, dhe pa marrë parasysh që
ka një nivel të lartë të figurimit, gjuha e Kanunit është e rrezikshme, sepse është e saktë, e
vetëmjaftueshme, që nuk duron as mungesat e as teprimet.

4
Prandaj, ky diskurs shkon kah forma e ngurtësuar, formula, paragrafi, që mbahet në
mend dhe zbatohet duke qenë e matur me vetë jetën. Në vështrimin e përfaqësimit,
Kanuni është një tekst ideal mimetik.
Në anën tjetër, krijimi i tekstit sistemor, që don ta përkthejë jetën në norma (morale)
dhe në vlera – besë, burrni, fisniki – nuk mund të jetë i riprodhuar në variante, por vetëm
mund të jetë një qerthull tematik për mbindërtime.
3. Te Kângët kreshnike kemi një diksurs letrar të pastër, që është një mënyrë e të qenit
dhe i vetëmjaftueshëm. Në diskursin letrar asgjë nuk është e dhënë dhe e vërtetë, sepse
kjo e vërtetë është ajo që është e mundshme. Kurse në Kângët kreshnike gjithëçka është e
mundshme, ngase e thëna bazohet në mrekullitaren dhe në fantastiken. Në këtë rreth të
krijimit e të diskursit krijohet një kontratë ndërmjet personit pasionant që është thënësi
(krijuesi) dhe personit tjetër pasionant, që është lexuesi. Kurrkush nuk do të kërkojë
vërtetdukshmëri kur lexon Kângët, pos të përkundet në krahët e fantazisë, duke pasur në
dije se Kângët kreshnike në fakt janë fillimet e letërsisë fantastike si zhanër në letërsinë shqipe.
Procedimet krijuese këtu mbështeten njësoj në tregim të paskaj, në përshkrim të së
mrekullueshmes, pa u lodhur për konvencat e kohës e të hapësirës, që janë përcaktuese të
diskurseve veridike. Fantazojnë së bashku krijuesi i panjohur, interpretuesi i kângës, dhe
ndëgjuesi apo lexuesi i saj.

4. Mimetika e jetës

Si lakohet nëpër këto vepra mimetika e jetës? Dhe çfarë ngjet me të vërtetën apo të
vërtetdukshmen si procese të pakalueshme të njohjes e të paraqitjes së jetës? Teoria
universale aristoteliane mbi atë që ndodh dhe atë që mund të ndodhë në shkrimet letrare
e rezonuese domosdo prek problemin e tipeve të ndryshme të ndërtimeve të këtyre
veprave që kanë edhe destinime të ndryshme që lidhen njësoj me poetikën (krijimin) dhe
mimetikën (imitimin).
1. Te Historia kemi të bëjmë me tregimin e ngjarjeve (ndodhive), qofshin këto të
zgjedhura, të dëshiruara dhe të dëshmuara. Vetë mënyra e paraqitjes kushtëzon një tip të
shkrimit që mbështetet në tregimin dhe tregimi është një trajtë themelore e ndërtimit të
tekstit, që vërtetësinë e vet të paraqitjes se jetës e mbështet në dëshmitë e në të dhënat.
Pra, Historia, dhe kjo e Skënderbeut të Barletit, tregon atë që ka ndodhur.
2. Te Kanuni kemi një paraqitje shumë më të ndërliqshme të jetës. Këtu evidentohet e
sistemohet ajo që ka ndodhur (si dëshmi, si empiri) për t’u bërë kjo një shembull a një
paradigmë për atë që do të ndodhë. Në këtë vështrim, mimetika e jetës shqiptare këtu
është më e thellë e më e ndërliqshme derisa merr trajtën e ligjës shoqërore të jetës shqiptare.
Barazia e jetëve në këtë sistem të mbyllur e të strukturuar sikur paradoksalisht ndërton në
të njëjtën kohë edhe lirinë e tyre të veprimit dhe të drejtën e tyre të veprimit.
3. Te Kângët kreshnike jeta është teatër në të cilin luhet fati i njeriut, pa përkufizime e
pa kufizime. Në vështrimin teorik, Kângët duke qenë vepra të fiksionit, tregojnë
(shenjojnë) atë që mund të ndodhë. Prandaj, gjatë krijimit e leximit të tyre lëviz e lirë
fantazia e njeriut dhe askush nuk shtron pyetjen t’i masë ato me përmasat e reales.
Vërtetësia e saj provohet për aq sa kjo është e mbështetur në fantazinë e njeriut krijues.
Këto këngë, prandaj, e japin ndodhinë apo ngjarjen të figuruar, nëpërmjet një procesi
krijues të tregimit, përshkrimit dhe figurimit. Përmasat reale humben, ashtu si koha e

5
hapësira, të cilat gjithashtu janë fantastike e të figuruara: koha zakonisht figurohet me
rrotullimin e Diellit, kurse hapësira humb dimensionet konkrete dhe emërtohet me figurë,
si Lugjet e verdha, etj.

5. Derivimet letrare

Tani, pa prekur reflektimet në literatura e në kultura të tjera, të shohim çfarë janë
derivimet letrare të tri veprave të mëdha, Historisë, Kanunit e Kângëve në letërsinë shqipe të
shkruar.
1. Historia e Barletit për trashëgimi ka lënë kultin e një letërsie heroike, që mund të
quhet njësoj barletiane e skënderbejane, qoftë edhe kur nuk lidhet me këta dy emra. Ky
tip letërsie duket në zanafillë të kulturës sonë të shkruar dhe kultivohet deri në ditët tona,
duke pasë marrë një hov në romantizëm.
De Rada me Skenderbeun e pafat përpiqet të rindërtojë një të kaluar heroike arbënore;
Naimi me Istori të Skënderbeut krijon portretin trimëror e moral të heroit për ta ngjitur në
ballin e heronjëve kombëtarë; Noli e shkroi dy herë historinë e Skënderbeut simbas
paradigmës barletiane: një herë (1921) të letrarizuar, e herën e dytë të dokumentuar, si
shkrim të plotë referencial; Haxhiademi shkroi tragjedinë Skënderbeu simbas skemës
strukturore të dramës klasiciste, ku shkojnë bashkë trimëria e fisnikëria; Kadare te
Kështjella e nxori heroin nga veprimi i romanit të tij, duke portretuar humbjet e
kundërshtarëve si pasojë e veprimeve të tij, e në të njëjtën kohë heroin historik duke e
çuar kah përmasat e legjendës; në anën tjetër, Bilal Xhaferi, te romani Krastakraus (Ra
Berati), e sheh heroin në dritën më origjinale: si duket ai kur humb.
2. Trashëgimia shpirtërore që ngërthen Kanuni ka derivuar në një letërsi etnike, e cila
përpiqet ta theksojë para së gjithash autenticitetin e kulturës, të vendit, të mentalitetit, atë
që do të jetë universale, vetëm me kushtin që të jetë më parë etnike.
Nuk ka dyshim që vepra më e plotë e këtij tipi në letërsinë shqipe është Lahuta e
Malcís e Gjergj Fishtës, tanimë e pagëzuar si epope kombëtare. Vepra e Fishtës bashkon
në vete letërsinë heroike, letërsinë etnike e letërsinë fantastike, të tria si trashëgimi të
veprave të mëdha. Mbas tij Ernest Koliqi, me novelën Gjaku, shpalon thellësitë e traditës
së Kanunit në psikologjinë e individit dhe ndeshjen tragjike të zgjedhjes individuale
përballë kodit kolektiv; Nazmi Rrahmani, në romanin Malsorja, trupëzon reflektimin e
Kanunit në botën e femrës e në botën e familjes; Pashku lakon temën e dashurisë nëpër
kushtëzimet kanunore te novela Nën qarr po rrinte vasha; nga ana e tij Kadare, te romani
Prilli i thyer, rindërton me një hollësi psikologjike historinë e hakmarrjes, duke e
përshkruar viktimën të pambrojtur nga fati i vet tragjik.
3. Në hullitë e Kângëve është krijuar një tip i veçantë i letërsisë shqipe, që po e
thërrasim letërsi fantastike, për të thënë menjëherë që me çudibërjen e mrekullitaren në
strukturën e tyre vetë Kângët janë veprat e para fantastike.
Novela Kërcimtarja e Dukagjinit e Koliqit thuret duke pasur parasysh një kontratë
ndërmjet Zanës mitologjike të Dukagjinit e bijës së njeriut të Dukagjinit, një kontratë për
të mbrojtur krenarinë kombëtare; prapë Fishta në meoldramën Jerina ase Mbretnesha e luleve
shtron ngatërresat e pajtimet në mes njeriut e zanave për të dëshmuar diturinë, bukurinë e
dashurinë e femrës vendëse; Anton Pashku ndërton varianten e të Bukurës së Dheut në
tregimin Floçka; nga ana e tij, Zejnullah Rrahmani, te novela E Bukura e Dheut, ngrit

6
intrigat syzheike dhe mjerimet e dashurisë së parë të Princit; Beqir Musliu ka kënduar në
poemë të re Legjendën për vorret e krushqve, ka thurur poashtu dhe dramën Unë, Halil Garria,
ku ndihen shenjat trashëguese të këngëve; prapë Kadare ka krijuar një letërsi të veten si
mbindërtim apo derivim të temave të Kângëve kreshnike e të baladave, me veprat: Kush e
solli Doruntinën, Ura me tri harqe, etj.
Këtu po ndalemi duke përmendur vepra të mëdha, duke u përqëndruar më tepër në
aspektin tematik. Ndikimet janë të mëdha e të veçanta po të studiohej struktura tekstore,
madje stili i veprave.

6.Tipizimi heroik

Heroi bën një punë ta pazakonshme, që shkon përtej masave të njeriut të rëndomtë.
Tipet e kulturave heroike kanë më shumë heronj se të tjerët.
1. Te Historia e Skënderbeut kemi tipin e heroit historik, që provohet e dëshmohet në
kohë, në hapësirë e në rrethana. Skënderbeu lufton kundër pushtuesit të vendit, zhvillon
25 beteja të mëdha dhe arrin të bashkojë princat shqiptarë në një trup e në një ide. Dy
veprime që do të bëhen paradigma të përkufizimit të heroizmit në kulturën shqiptare me
shekuj. Në veprën barletiane Skënderbeu e tret dhe e rigjen atdheun, identitetin, bëhet
edhe njeri i zakonshëm, dashuron dhe urren, fal gabimet njerëzore, por edhe i ndëshkon.
Pra, ai sado të ketë përmasat e të pazakonshmes, nuk shkon kurrë në nivelin e legjendës,
po mbetet në rrafshin e historisë.
2. Te Kanuni heroi mund të zhvillohet vetëm në përmasat e heroit moral. Kjo në
mënyrë paradoksale do të thotë të jeshë më i përsosuri (më i pazakonti) në mesin e të
njëjtëve. Sepse, vepra duke përcaktuar rregulla të jetës së përditshme në shoqëri nuk
ndërton kultin e të veçantës, por përmasën e të përgjithshmes. Shprehja e tepruar e të
veçantës në fakt është thyerje e rregullit, kurse rregulli ndëshkon apo përjashton thyerjen.
Në vështrim të përgjithshëm, nëpër nenet e Kanunit mund të gjendet formati i heroit të
përditshmërisë shqiptare që do të ngritet nëpër virtytet morale: besa, nderi, burrnia.
3. Te Kângët kreshnike tashti ndeshemi me tipin e heroit virtual, fantastik. Këtu kemi
të bëjmë me matjen e përditshme të veprimeve të jashtëzakonshme të heronjve. E gjithë
kjo ndodh në domenin e fantastikes. Veprimet heroike, vetëm deri në një shkallë kanë
përmasat njerëzore, kurse tutje kalojnë në përmasa të pazakonshme. Prandaj, në fazat e
dyta hyn në lojë fuqia përtejnjerëzore, e përcaktuar me qeniet mitologjike. Muji është kaq
njerëzor në dhimbjet e dashuritë, por kaq fantastik në veprimet me ndihmën e zanave.
Dhe prapë kaq njerëzor në dialogun me zanat për të fituar betejat, që bëhen për nevoja e
virtyte njerëzore: dashuri, afërsi, burrëri. Se edhe këtu si të ishte një nen kanunor, në gojë
të heronjve shqiptohet thënia: “mâ mirë dekë se koritë”.
Po them heroi fantastik i Kângëve është një kombinim i kërkesave njerëzore me ëndrrat
e tij fantastike për plotësimin e tyre.

7. Klasa e figurës

Tri monumentet tona kulturore dallohen në mënyrë të veçantë përnga stili dhe
klasa e figurës, që në fund të fundit kushtëzon dhe strukturën e tyre tekstore.

7
1. Në shkrimin historik dominojnë koleksionet: p.sh. dinastitë, luftërat, mundja,
fitorja, humbja, paqja, popujt, vendet, që shprehen me fjalor të veçantë; mandej
koleksionet e objekcioneve politike, juridike, etnike, që lidhen me narracionin; disa
koleksione tematike lidhen me tematika personale të autorit. Në Historinë e Skënderbeut të
Barletit zotërojnë fjalimet dhe luftërat, betejat me ngjyrime morale. Janë të njohura fjalimet
e Skënderbeut, si ai në Lezhë, që përballë një tregimi të përqëndruar për të treguar
atdhetarinë e tij, ka në vete elementet e forta retorike të të bindurit.

Virtuti më i lartë dhe besa e vërtetë, o princër fort bujarë dhe ju, o bashkëluftëtarë të
mij shumë të dashur, kujtoj se është së pari të adhurosh, të kesh kujdes dhe të
nderosh si duhet, me shpirt të pastër e me frikë perëndie në zemër Zotin e madh e të
vërtetë. Së dyti, jo vetëm ta duash dhe ta kesh gjithmonë para syvet atdheun dhe
shtetin, ku secili ka lindur dhe është edukuar, por edhe ta mbrosh e ta shpëtosh edhe
me gjak. Këto padyshim të gjitha, këto kurdoherë unë i kam patur për zemër dhe për
to kam derdhur tërë zotësinë time dhe jam përpjekur me mish e shpirt.”

Kur në shkrimin historik zotërojnë unitetet e shenjave, shkrimi shkon kah një formë
metaforike, që i afrohet lirikës; ndërsa kur zotërojnë raportet funksionale, historia merr
trajtën e metonimisë dhe i afrohet epopesë, siç është rasti me Historinë e Barletit.
Përfundimisht, mund të thuhet që Historinë e Barletit e karakterizon figura e
metonimisë.
2. Do të pritej që figura e metonimisë të ishte karakterizuese e tekstit të Kanunit, duke
pasur parasysh karakterin e tij rezonues. Por, nuk është kështu.
Tekstin e Kanunit e karakterizon figura e elipsës. Në të vërtetë, edhe formalisht edhe
funksionalisht teksti i Kanunit është një elipsë e madhe. Vetë ndërtimi i tekstit që shkon
sipas parimit të niset nga gjerësia për t’u rrudhur duke u përqëndruar: një herë ngjarja,
mandej anekdota për ngjarjen, mandej rrudhja e anekdotës në një shprehje-formulë me
porosi, është një prosede eliptik. Në anën tjetër, teksti më parë i kodifikuar rishtas
funksionon si elipsë, si formulë, edhe një herë, edhe shumë herë, edhe po u lypën
shpjegime, ato nuk ikin nga elipsa: një formulë do të shpjegohet apo plotësohet me
formulën e re. Askund, asnjë plasë për shpjegime perifrastike.

Po vrau i ati të birin, s’e ndjek kush. Kanuja ia xen se vret vedin. Kush vret vedin,
shkon gjakhupës.
***
Vrau i biri t’anë, ka marre djalë mbas djalit, dahet luget e bludet e jet sa të jetë jeta i
marruem, por atë gjak kërkush s’ia kërkon.
***
Virgjinat (femnat qi vishen si burrë) s’veçohen prej grash tjera, posë qi janë të lira me
ndejë ndër burra pa tagër zanit e kuvendit.
***
“Fjala mort nuk bân”. “Goja s’qet kend në gjak, por gishti”

3. Në Kângët kreshnike ka përshkrime të bukura e fantastike, më parë të peizazheve të
natyrës, mandej të bukurisë, që është një variante shqiptare për dashurinë (Tanusha); pra
në përshkrime zakonisht dominon krahasimi apo epiteti.
8
Lum për tý, o i lumi Zot!
Fort po shndritë njaj diell e pak po xe’!
Ç’ p’e merr frima rrapin e Jutbinës!
Borë e madhe, qi ká rá,
Rândojnë ahat për me u thye;
Ki’n çetinat vetëm kreshtat:
Ushtojnë lugjet prej ortiqesh,
Prej ortiqesh, kah po bijnë ndër gropa.
Janë rá vashat me gjâ n’lumë,
Kan gjetë lumën tânë ngrì akull;
Kan nisë vashat me lypë krojet,
Kan gjetë krojet tânë ngrî hej.
***
E un Tanushën vetë e ko’ pá.
Kúr kém pasë besë me krajlí:
Gjâ mâ t’mirë s’shef njeri nën ket diell!
Vetulla e saj ndrejt si fiskaja;
Shteku i ballit, si shteku i malit,
Kurr merr hâna me pranue;
Syni i saj, si kokrra e qershís;
E ka qërpikun, si krahi i dallndyshës;
Ftyra e saj, si kuqet molla n’degë;
Hunda ndrejt, si kalêmi i Tushës;
Goja e vogël, si lula qi shpërthen;
Dhâmët e bardhë, si gurzit e lumit,
Fill mbas shiut kúr po i shndritë dielli,
Qafa e saj, si qafa e pllumbit:
Shtati i saj, si ’i shtat çetinet;
Misht e dorës, porsi rrêmi i shemshirit.

Mirëpo jo, figura dominante, madje karakterizuese e Kângëve është hiperbola.

E ka vû nji barrë drû t’vogël n’zjarm,
Treqind vetë p’r ’i herë m’u xé.
***
Kan bâ ashtat trimat me ushtue,
Kan bâ lumet trimat m’u turbullue,
Kan bâ gjogat trimat me flurue.
***
E ka bâ nji piskamë t’madhe,
Janë shêmbë kullat deri n’themele!
E t’â trandun deti me hi mbrendë,
Kan gjimue malet si për mot t’lig.
***
Grueja grue e zâna zânë,
9
Zana diell e grueja hânë;
Mjerë kush besë grues i ka xanë!

Kjo nu ka të bëjë vetëm me të madhërishmen si domosdo të tyre, që ndjellin këtë
figurë. Figura e hiperbolës bëhet më shumë esencë e një trajte krijuese që nuk njeh asfarë
kufizimi, jo të natyrës së artit mimetik. Krijimi i pakufi është në natyrën e artit letrar.
Kurse Kângët janë disa nga perlat e letërsisë shqipe, në fillimet e saj; si “monumente të
gjallë fisnikije shpirtnore e si përfytyrimet e pastërta të karakteristikave kombtare”.

8. Trajtat e ndikimit

Me jetën e tyre shumëshekullore në botën shqiptare, tri veprat e mëdha kulturore:
Historia, Kanuni e Kângët e kanë provuar ndikimin e vet, madje janë identifikuar këto trajta
të ndikimit, duke u ndodhur njësoj si në strukturën e tyre ashtu dhe në funksionimin e
tyre.
Historia e Barletit ngrit kultin e atdhetarizmit dhe këtë e shpërndan nëpërmjet gjestit
e të veprimit të heroit. “Ejani, pra, kryetrima, merrni hakun, mbroni me lavdinë më të madhe
atdhenë, gratë, fëmijët dhe të mirat tuaja, silluni atyre qetësinë e vërtetë të lirisë”.
Kanuni ndikimin e vet e bën njësoj në të gjitha sferat, duke marrë e duke dhënë
shenjat e jetës reale e konkrete, duke ndërtuar kultin e përsosmërisë morale (besë, trimni,
burrni) dhe këtë ndikim e bën nëpërmjet porosisë. “Fjala mort nuk bân. Goja s’qet kend në
gjak, por gishti”.
Te Kângët kreshnike ngritet kulti i jetës së lirë të individit dhe i pavarësisë, ndërsa
ndikimi bëhet nëpërmjet ngjalljes së imagjinatës së njeriut. “Fort po shndritë njaj diell e pak
po xe’!”
Me këtë trajtë të kërkimit e të ndikimit, këto vepra më parë përbëjnë një identitet
kulturor, më pas hyjnë në universalitetin e kulturave të njeriut.

9. Përfundim

Duke njohur vlerat për identitetin e kulturës shqiptare të Historisë së Skënderbeut,
Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe të Kângëve kreshnike, unë me dashuri do t’ia dhuroja këtë
komplet një të huaji, duke ditur që në to fshihen çelësat për shumë zhvillime dhe
interpretime në jetën e në literaturën shqipe.
Pse jo, madje më duket e nevojshme, që këto vepra duhet t’u dhurohen edhe
shqiptarëve.

10