Millosh Gjergj Nikolla i njohur si Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje të varfër qytetare; vdiq më 26 gusht

1938 në moshën 27-vjeçare në një sanatorium pranë Torinos në Torre Pellice. Ishte poet dhe prozator. Shtepia ku lindi poeti nuk ekziston me prej shume vitesh. Ajo ishte e ndertuar ne oborrin e shtepise se Trimçeveve dhe pikerisht kjo shtepi u be edhe Muzeu i Migjeni nga viti 1961 deri ne vitin 1993. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat "Iliria", "Bota e re" etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin "Vargje të lira", të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për tu shëruar nga sëmundja e mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij. Migjeni kishte bindje te perparuara per kohen e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm. Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndanë veprën e tij. Në poezitë e para, si "Zgjimi", "Të birt' e shekullit të ri", "Shkëndija", "Shpirtënit shtegtarë", etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë («kalbësinave që kërkojnë shejtnim»). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për "një agim të lum e të drejtë kombëtar", me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik. Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira ("Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni?"etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në "Poemën e mjerimit", veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si "Zoti të dhashtë" etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare ("Të çelen arkapijat", "Studenti në shtëpi"). Në "Studenti në shtëpi" vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar ("Kanga skandaloze", "Programi i një reviste", "Novelë mbi krizën"etj.). Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat "Luli i vocërr"dhe sidomos te "Zeneli", shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore ("Mollë e ndalueme"). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i

hollë, prirja për t'i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia - këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës. Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare; me veprat e tij ndihmoi në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë. Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. ("Veprat" e plota të Migjenit janë botuar tri herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë. Me interesimin e pushtetit popullor eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe (1956). Ju dha titulli "Mësues i Popullit" (1957). Biografia e Migjenit- Millosh Gjergj Nikolla

Sign up to vote on this title
UsefulNot useful