You are on page 1of 8

Lirika “Nji lule vjeshtet” e At Gjergj Fishtës

Ndue Ukaj
Teksti poetik “Një lule vjeshtet” është poezia tipologjikisht më
lirike në korpusin e përgjithshëm të autorit, jo vetëm si status
tematik, por edhe si ligjërim i brendshëm, në të cilën autori
nga institucioni i tekstit me kode tematike nacionale e gjuhë
mashkullore, lëviz në trajtat subtile, ku spikatet malli,
dhembja, adhurimi e ndenja e mërzisë. Diskursi i kësaj vjershe
është elegjiak, i përshkuar me nuanca dhembjeje, malli e
mërzie. Në këtë poezi, më tepër se në çdo tekst tjetër letrar,
autori del në furtunat thellësisht subtile të letërsisë, duke
krijuar një tip shkrimi autoreferencial, ku ai tanimë ka përballë
një objekt që i shkakton mërzi, mall e adhurim dhe që e bëjnë
thellësisht të jetë i frymëzuar për të shpërthyer. Përderisa në
epikë e diskurse të tjera letrare, autori kur kërkon
bashkëbiseduesin fiktiv, atë e sheh te Zana, në këtë lirikë,
shpërthimet autoriale ndërrojnë referencën shenjëzuese. Dhe
sipas Kujtim M. Shalës te Nji lule vjeshtet, Zana është kulturë
(si shenjë konvencionale e religjionit: Kryq e Engjëlli i Zotit).
Kjo lëvizje strategjike poetike, nënkupton edhe tjetërsimin e
diskursit dhe gjuhës. Autori tanimë nuk mitizon Atdheun e as
nuk e satirizon, mirëpo përsiat për njeriun, të shuar, pranë
varrit të frikshëm. Duke pasur një shkrirje mes subjektit e
objektit, në këtë, tekst autori del më subtil se kudo në
krijimtarinë e tij artistike, tekst ky që është i përshkuar nga
ndjenja malli e dhembje, nga ndjenja të mërzisë së thellë të një
humbje që ja trondit shpirtin para një varri që sundon idenë e
bukurisë së venitur sikurse lulja e verës në vjeshtën me shi.
Sipas komentuesit të poezisë lirike të Fishtës, Atë Viktor
Volajt, poeti s’ka mujtë me përdorë nji metaforë ma të
njëmendshme e të pershatun, per të paraqitun vendin e
vorreve si n’atë rrah të lekne. Shenjat e tekstit dhe toposet e
fuqishme, fizike e metafizike dëshmojnë se, këtu autori lëviz
nga tipi i letërsisë së tij. Kjo lirikë e fuqishme personale,
ndërton çuditërisht një marrëdhënie bashkëfajësie, siç shkruan
Aurel Plasari me një objekt dhe së këndejmi shtron çështje
metafizike për fenomenin e vdekjes, që tipizohet me një njeri
të vdekur, që ishte i dashur i poetit. Ka pasur studiues të
ndryshëm që te kjo poezi kanë kërkuar temën e dashurisë
profane, duke nënkuptuar një objekt femre, së cilës i këndon
Fishta. Mirëpo, në këtë aspekt na ndihmon një mendim i
njohësit të poezisë lirike së autorit, Mark Ndoja i cili thotë se,
edhe sikur “të mos e kishte pengue, zhguni i fratit, Fishta
shumë-shumë do të kishte ndërrue objekt... por kurrë jo
qëndrimin e vet subjektiv”. Dhe tani shtrohet për diskutim, cili
është ky qëndrim subjektiv? Ne mendojmë se këtu është prirja
e autorit për të përjetësuar në fjalën artistike ndjesitë e njeriut
të përvëluar nga dashuria për jetën, si një element i fuqishëm i
transfiguruar në art. Në fakt, ky qëndrim subjektiv i autorit,
është në koherencë me letërsinë e tij, në të cilën Fishta del një
natyrë thellësisht dashuruese, adhuruese. A nuk është ky autor
që dashuron atdheun dhe për të kërkon vetëflijim në lirikë e
epikë? Këtë soj toposesh tematik e diskursesh e gjejmë edhe
në lirikën atdhetare, mirëpo autori aty adhurimin, dashurinë e
mallin për një Shqipëri si Eden të Ballkanit e tjetërson me
nxitjen e kujtesës historike, duke stimuluar të kohshmen e
autorit. Dhe mërzia e trondit, prandaj edhe shpërthen jo
rrallëherë, në diskurs satirik, krijon situata groteske. Është
debatuar shumë, lidhur me kontekstin e kësaj poezie, nëse në
të, ka shenja eksplicite që nënkuptojnë relacionin e Subjektit
me një Objekt femre, së cilës autori i këndon me mall. Është
përpjekur nga studiues të ndryshëm të gjendet ndonjë Laurë a
Beatriçe te kjo poezi e poetit, mirëpo, si objekt a relacion
ndërtekstor, kjo përbën pak rëndësi, sepse relevante është
poezia si krijesë gjuhësore e mrekullueshme, e stilizuar dhe e
shkruar me frymëzim të thellë poetik.
Teksti poetik është i motivuar nga një qenie e vdekur. Kjo
trajtë e motivueshme e then edhe gjuhën autoriale, të
karakterizuar nga kodet atdhetare, morale, etike. Madje, vetë
fakti se autori gjendet para një të vdekuri, nënkupton
tjetërsimin e trajtës ligjërimore, ngase vdekja e cyt në butësinë
e gjuhës, në gjetjet poetike subtile e të amshueshme. Tanimë
para lexuesit gjendet një tekst ambiguel, një lirikë me tema e
motive të lëvizshme në hartën universale të shpirtit të njeriut,
mes qiellit e tokës. Poezia është e ndërtuar me atribute të
fuqishme e dridhmuese, të cilat variojnë dhe krijojnë topose të
veçanta letrare, ku gravitojnë figura të tmerrshme tokësore, si
vdekja dhe pamja fizike e saj, deri ato të katharsisit moral e
religjioz, që identifikohet përmes shpirtit dhe parajsës. Kësaj
qenie të dashtun të autorit i janë “sosun fjalët e ëmbla e plot
urti”. Pas këtyre vargjeve, mund të lexojmë një çfarësim të
temës së poezisë, që për objekt ka një qenie të nalt, e cila për
virtyt kishte urtësinë. Duke e njohur konstitucionin shpirtëror
të kohës dhe statusin e letërsisë së Fishtës, neve vetvetiu na
shtrohet pyetja, vallë mund të jetë kjo qenie një femër?
Empiria le shumë hamendësime, mirëpo thellësisht këtu autori
qartëson një segment tematik që lidhet me një të urtë. Dhe ai
mund të jetë ndonjëri nga bashkëvëllezërit e tij meshtar.
Mirëpo, duke e tejkaluar këtë dimension të kërkimeve letrare,
e rëndësishme është se kjo poezi për substancë ka dhembjen
për kalueshmërinë e njeriut, një dhembje kjo që sfidohet
përmes artit dhe përjetësimit të aktit me vargje, një qenie që
“Sa t’bjerë dielli e tokës ke me t’u kndue”. Në vargjet e fundit
të vjershës, poetit pas numërimit të meritave të njeriut që e ka
objekt letrar, me një pietet, çlirohet, sepse ai gjithmonë ka mu
kënduar në tokë, ndërsa i vdekuri do të gëzoj jetën qiellore.
Këto vargje, për mendimin tim tejkalojnë përpjekjet për të gjet
në këtë lirikë një qenie hipotetike femër, ngase autori këtu
këndon për një personalitet dhe, ai, mbase mund të jetë
ndonjëri, sikurse ta zëmë A. Anton M. Xanononi a Alios Paliq
i vrarë. Si shembull, këto dy figura françeskane, poeti i këndon
edhe në poezi tjera me dhembshuri të thellë.
Vetë titulli i vjeshtës implikon dhembjen si metaforë
krahasuese poetike, përballë një bukurie të venitur. Duke u
venit lulja/objekti i poetit, thellohet malli dhe shpërthejnë
vargjet që kanë një status të thellë përkushtues. Autori ndërton
dialog me qenien fizike që shkrihet në përjetësi, mirëpo që
mbrapa ka lënë mall e adhurim. Teksti ndërtohet me figura të
që tipizojnë sekuenca të dhimbjes, ku tipizohet varri, i
errshshëm sa të trand shpirtin, njeriu i bërë pluhur, mbi të cilin
shënjohet përjetësia përmes një kryqi, si simbol e kod
religjioz. Dhe ku këndojnë hutat. Këto janë imazhe të
tmerrshme, të cilat autori i transfiguron në tekst me një diskurs
thellësisht subtil, ku gërshetohen dhembja dhe mërzia me
kujtimin dhe përjetësinë. Kjo përjetësi vjen nga statusi
religjioz që merr teksti, ku autori ndërfut Engjëllin si simbolin
e lumturisë së amshueshme dhe Ungjillin ku konstruktohet ky
projeksion moral. Autori në gjitha nivelet e dhembjes, nuk
humb toruan dhe shpreh bindjet religjioze se njeriu i dashtun
është “N’prehen t’Amëshuemit “ është duke gëzuar lumturinë
qiellore për punët e mira që ka bë në tokë. Prandaj edhe teksti
motivon intencën, si esencë të një malli që gjen prehjen: “S’kje
toka, jo, për ty kje qiella”. Këtë status poetik autori e artikulon
duke mbrojtur dhe theksuar idenë intencionale se çdo bukuri
mbaron, mirëpo mbrapa rri jeta qiellore, e cila është vegullim i
të mirave të amshueshme, është pra, ngushëllim që e bënë
autorin të prehet i qetë në dhembjen e tij. Në gjithë këtë
mjegullnajë kërkimesh, një mendim i Lasgush Poradecit duket
se kthjell shumë mendjet e preokupuara me gjetjen e objektit
të kësaj poezie: “Artisti i vërtetë s’pyet që ku e nxjerr lëndën
brute të krijimeve të tija; ay pyet: A ka realizuar prej asaj
lënde brute një vepër origjinale, të re, të fuqishme, plot
ekspresivitet vetjak?” Ky mendim më duket është tejet
adekuat për kontekstin e këtij interpretimi dhe kësaj lirike
brilante. Pa marrë parasysh objektin letrar, në është në këtë
vjershë një Laurë a një Frat i vrarë, apo në është një shpërthim
imagjinate e kulluar e poetit përballë fenomenit të vdekjes, ky
tekst është një realizim i mirëfilltë artistik, një vjershë brilante
ku ndjehen drithërimat e shpirtit të trazuar dhe ku kumbojnë
figurat e gjetura artistike. Nji lule vjeshtet është një ndër
krijimet më të bukura në letërsinë shqipe, ku figuracioni i
mahnitshëm stilistik, ecën paralelisht me toposet tematike dhe
temat që shtjellon, një poezi thellësisht e motivuar, që përsiat
për të bukurën, vdekjen, mallin, dashurinë e kujtimet, për
moralin dhe përjetësinë, të përfytyruara nga dora e krijuesit të
rryer në fushën e artit të fjalës që di të pikasë me ngjyra e
imazhe subtile, ndjesimet më të holla të njeriut, duke e ditur se
lirika është një ndrydhje në vete pa pasur nevojë për qartësim
të objektit.
Përkundër gjitha relevancave jashta letrare që mund të
implikohen në lidhje me këtë tekst, qëndron një kryerelevancë
dhe ndërlidhet me atë se ky krijim letrar është një margaritar
poetik i shenjueshëm në krejt letërsinë shqipe.