Demokracia përfaqësuese apo klienteliste?

Bekim Baliqi, PhD Në politik ekziston shqetësimi i vazhdueshëm se më shumë flitet se punohet , prandaj prej atributeve kryesore të demokracisë, përveç lirisë së shprehjes është edhe pluralizmi, jo vetëm partiak por edhe te ideve e mendimeve politike edhe brenda tyre. Qëllimi i kësaj është nxitja e konkurrencës së shëndoshë dhe arritja e zgjidhjeve më të pranueshme e qëndrueshme për qytetaret. Në demokracinë e drejtpërdrejte te Athinës antike, delegatet e popullit raportonin së paku dhjetë herë në vit para qytetarëve rreth punës së tyre. Edhe pse, ne sot jemi në kohëra tjera dhe me një demokraci përfaqësuese, parimi i llogaridhënies mbetet ende boshti i saj. Dhe kjo lidhet gjithashtu, me legjitimitetin nga ana e qytetarëve, me efikasitetin e qeverisjes dhe me përgjegjësin e pushtetarëve. Mirëpo, si të arrihet kjo nëse këta të fundit komunikojnë me popullin vetëm gjatë fushatave elektorale, edhe atë zakonisht përmes klipeve televizive ose nganjëherë edhe gjate pritjeve e përcjelljeve të zyrtareve të huaj. Ndoshta kjo dukuri është me pak shqetësuese, sesa dilema se çfarë interesa mbrojnë subjektet politike nëse vet organizimi dhe financimi i tyre është tërësisht jo transparent? Ose sa mund partitive politike në Kosove të tolerojnë zëra të arsyeshëm e kritik brenda tyre? Mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, duke filluar kështu prej partive e deri te organet shtetërorë, rezultojnë si rrjedhojë edhe në akumulimin e problemeve të tjera serioze, si bie fjala pjesëmarrja e qytetareve në zgjedhje ose përfaqësimi i drejtë të interesave të tyre. Përvojat dhe zhvillimet politike të deritashme në Kosovë, dëshmojnë se demokracia brendapartiake le shumë për të dëshiruar dhe se partitë favorizojnë grupe të caktuara e të vogla që kanë pushtet të pa kontestueshëm. Ndryshe, si mund të shpjegohet pasuria marramendëse materiale e përfaqësuesve të popullit në Kuvend ose funksionimi i partive politike me logjikën e bizneseve, që themelohen e drejtohen zakonisht në tërësi nga i njëjti pronar dhe rrethi më i ngushte i tij!? Në këtë mënyrë ndikimi i shoqërisë dhe roli i saj në proceset politike margjinalizohet në atë mase sa që mbetet peng i vullnetit të mirë të udhëheqesis në luftimin e dukurive negative ose dhënien e llogarisë për (mos-)veprimet e tyre para qytetarëve. Kjo demokraci formale, në të cilën po jetojmë ka arrit që të krijoj një hendek aq të madh në mes të pushtetarëve, të cilët nga bartësit institucional janë shndërruar më shumë në pronar institucional, dhe në anën tjetër të pjesës dërmuese të shoqërisë, e cila po humb besimin ndaj vet shtetit dhe durimin ndaj politikave publike. Për fat të keq, ndryshimet pozitive është vështirë për të u pritur përderisa në Kuvend janë një pjesë e madhe e atyre delegatëve (milionerë) të cilët e kane thuaja të pamundur të përfaqësojnë interesat e

më shumë së gjysmës së popullit të cilët edhe zyrtarisht jetojnë në kufijtë e varfërisë. Kjo për faktin e thjeshte se ata në rend të parë do të mbrojnë e promovojnë ato politika të cilat i përshtaten bizneseve të tyre, sepse kyçja e tyre në politikë ka ardhur si pasoje e këtyre interesave të ngushta, si dhe vet arsyeja e ekzistencës së tyre politike buron nga këto grupe klienteliste e klanore që kanë qëllim të përbashkët sigurimin e pushtetit dhe rritjen e pasurisë. Prandaj demokracia përfaqësuese po tingëllon shume ironike kur në fakt udhëzimet, ligjet dhe te gjitha politikat po bëhen për hir dhe interesa të kujt do tjetër përveç për ato të qytetareve prej të cilëve edhe janë përzgjedhur. Mos u befasoni, nëse Presidenti i ardhshëm i Kosovës nuk paraqet simbolin e unitetit por promotorin e mbrojtësin e atij grupimi politik e biznesor që do t´ia mundësoj këtë pozitë!

Sign up to vote on this title
UsefulNot useful