TË DREJTAT E GEGËRISHTES December 28, 2011 by Xha Xhai Para pak ditësh, u mblodh në Tiranë një konferencë mbi çështje

të gjuhës shqipe me titull “Gegnishtja sot”, e organizuar nga Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe, i drejtuar nga Primo Shllaku. Qëllimi krejt ambicioz i kësaj konference ishte të shohë se ku gjendet sot koineja letrare gege dhe të shqyrtojë rrugët për kthimin e prestigjit të saj në ligjërimin publik, përveçse atij letrar. Për arsye praktike, vetëm tani mund t’u kthehem disa çështjeve që u diskutuan në konferencë, për t’i parë në kontekstin e temave të rrahura prej kohësh në këtë blog. Shtypi i kish dhënë vend të konsiderueshëm një kumtese ose diskutimi të Blerta Krajës, e cila është juriste (avokate), bashkëthemeluese e Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe dhe drejtore politikash e tij. Në këtë kumtesë, Kraja hedh tezën se, neni 14, pika 1 e Kushtetutës së vitit 1998, ku thuhet se “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja” duhet interpretuar se Kushtetuta nuk e lidh gjuhën zyrtare tonën me asnjë vendim detyrues të mëparshëm, apo me të ashtuquajturin “standard”; madje “Kushtetuta e re nga fton ta ridefinojmë shqipen dhe nuk na lidh me kurrfarë vendimi detyrues të para Kushtetutës.” Më tej, ajo vëren se të drejtat gjuhësore janë të drejta dhe liri themelore të njeriut, duke iu referuar Deklaratës Universale të së Drejtave Gjuhësore, të miratuar në Konferencën e Barcelonës të 9 qershorit 1996, në kuadrin e UNESCO-s; dhe më tej i referohet faktit që Bashkimi Europian në organizimin e tij ka të përfshirë një komisioner që mbulon dhe multilinguizmin. Sa qëndrojnë këto argumente? Për mendimin tim, ato nuk qëndrojnë. Përcaktimi i shqipes si gjuhë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, nga neni 14, pika 1 e Kushtetutës, duhet kuptuar në rrafshin e diversitetit gjuhësor, jo të diversitetit brendagjuhësor; në kuptimin që Kushtetuta e vendos shqipen si gjuhë zyrtare, përballë greqishtes, serbishtes, bullgarishtes, arumanishtes, romishtes, dogançes dhe ndonjë gjuhe tjetër që mund të flitet nga grupe etnike brenda territorit të republikës. Kjo nuk ka të bëjë me formën e shqipes zyrtare; meqë askush nuk pretendon, askund, që ta shndërrojë kushtetutën në një gramatikë normative të shqipes së sotme, e cila t’u kundërvihet formave dialektore të shqipes, që fliten anembanë trojeve ku jetojnë shqiptarë. Po ashtu, ma merr mendja se shumë juristë do të ishin gati të argumentonin se vetë termi gjuha zyrtare, siç përdoret në Kushtetutë, e parakupton një formë gjuhësore jo vetëm të njësuar, por edhe të kodifikuar (siç është standardi), meqë së paku shqipja e akteve zyrtare, p.sh. e ligjeve, duhet të jetë vetvetiu, për nga vetë natyra, e kodifikuar; në kuptimin që kodifikimi ka të bëjë jo me ndonjë nevojë kulturore ose hegjemonike, por lidhet me mënyrën si funksionon ligji, si formulim gjuhësor i një rregulle ose shtrëngimi eksplicit. (Aq e vërtetë është kjo, sa njihen raste kur, në ShBA-të e shekullit XIX, kanë dështuar procese gjyqësore vetëm e vetëm ngaqë gjykatësi dhe palët e tjera nuk kanë rënë dot dakord si ta shqiptojnë një term të caktuar; në fakt, njësia formale është kusht për identifikimin e saktë të termave dhe vetë interpretimin e ligjit.) Edhe aktet ligjore të Bashkimit Europian dhe referimet ndaj të drejtave të njeriut duhen kuptuar, si rregull, në këtë prizëm: si akte që kanë për objekt gjuhët e ndryshme brenda një jurisdiksioni të caktuar, jo format e ndryshme të një gjuhe (dialektet, variantet letrare, zhargonet). Kraja i referohet nenit 5 të Deklaratës Universale të së Drejtave Gjuhësore, ku thuhet se “kjo deklaratë është e bazuar në parimin se të drejtat e komuniteteve gjuhësore janë të barabarta dhe të pavarura nga statusi ligjor apo politik i gjuhës së tyre, si zyrtare, rajonale apo minoritare….” Mirëpo edhe në këtë pasazh, duket qartë se është fjala për gjuhë, jo për formë gjuhësore, koine dialektore, ose variant letrar. Nga ana tjetër, neni 9 i së njëjtës Deklaratë thekson se “Të gjitha komunitetet gjuhësore kanë të drejtë të kodifikojnë, standartizojnë, ruajnë, zhvillojnë dhe promovojnë sistemin e tyre

gjuhësor, pa ndërhyrje nënshtruese apo detyruese,” pohim ky që nuk është domosdo i lidhur me një gjuhë të caktuar, meqë sistemi gjuhësor, si koncept, mund t’i referohet edhe një koineje dialektore ose varianti letrar. Gjithsesi, manovra e Krajës, për t’i paraqitur trajtesat komunitare europiane të multilinguizmit si pertinente në rastin e raporteve të gegërishtes – cilësdo gegërishteje – me shqipen standard ka brenda një element sofistik, sa kohë që Kraja vetë nuk e pranon ta quajë gegërishten, ose më mirë “gegnishten” si gjuhë të ndryshme nga standardi dhe konkurruese me të në nivelet letrare madje edhe publike; por i mbetet besnike tezës tradicionale se kjo gegnishte – sado imagjinare dhe sado mitike – është po aq formë e shqipes sa edhe standardi. Çështja besoj se duhet formuluar kështu: nëse do të luftohet për rehabilitimin e gegërishtes, të çfarëdo forme, a do të konsiderohet kjo gegërishte si formë e shqipes dhe rehabilitimi i saj publik do të bëhet në bazë të nenit të sipërcituar të Kushtetutës; apo do të konsiderohet kjo gegërishte si gjuhë e ndryshme dhe e mëvetësishme nga standardi, dhe rehabilitimi i saj publik do të bëhet sipas legjislacionit europian për të drejtat e njeriut dhe multilinguizmin. Në trajtesën e vet, Kraja nuk pozicionohet qartë ndaj kësaj dileme, që ka rëndësi kritike për shtrimin e çështjes vetë, por edhe për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje. Kjo manovër, ky sofizëm i pështjellimit mes një gjuhe dhe një dialekti s’është hera e parë që nxjerr kokë, në debatet për format publike të shqipes. Natyrisht, vetë dallimi mes gjuhës dhe dialektit është konvencional dhe pak a shumë arbitrar; gjuhëtari Max Weinreich ka popullarizuar thënien se “gjuha është një dialekt i pajisur me një ushtri dhe një flotë”, për të treguar, para së gjithash, se dallimet mes gjuhës dhe dialektit nuk mund të përcaktohen vetëm me mjete gjuhësore. Kjo do të thotë edhe se përgjigjja që do t’i japim pyetjes nëse gegërishtja letrare është apo jo gjuhë nuk do të jetë kurrsesi e pafajshme; meqë në rrethanat e kulturës shqiptare sot, gegërishtja letrare gjuhë do të thotë separatizëm geg, organizim politik rajonal, federalizëm kulturor dhe federalizëm politik. Po a janë këto qëllimet e Primo Shllakut, të Blerta Krajës dhe të përkrahësve të tjerë të rehabilitimit të gegërishtes letrare si formë të ligjërimit publik? A janë gati ithtarët e gegërishtes letrare që të mbrojnë tezën se kjo është gjuhë më vete, po aq e pavarur nga toskërishtja letrare (dhe standardi) sa edhe, bie fjala, katalanishtja nga spanjishtja, ose provensalishtja nga frëngjishtja? Çuditërisht, të njëjtën ambivalencë në lidhje me statusin linguistik të gegërishtes (gjuhë, dialekt, variant letrar) Arshi Pipa e ka gjetur edhe në analizat e Kostallarit, për rrugën e formimit të standardit të vitit 1972. Pipa madje citon, në veprën e vet Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste (botimet Princi, 2010), një pikëpamje të Marr-it (gjuhëtarin me të cilin polemizoi Stalini, në pamfletin e vet të mirënjohur për Marksizmin dhe çështjet e gjuhësisë), sipas së cilës “faktikisht, cilidoqoftë dialekt është gjithmonë vetëm mbijetesë e një gjuhe të pavarur.” Pipa e vë re mirë se kjo pikëpamje, që nuk është aq skandaloze sa ç’mund të duket në vështrim të parë, bie ndesh kryekrejet me konceptin krahasimtar për dialektin, si formë të një gjuhe të vetme kombëtare, koncept që sot e marrim pothuajse pa vërtetim, së paku në nivelin kulturor. Pipa madje e akuzon Kostallarin se, në diagramin e vet famëkeq të raporteve mes shqipes së njësuar, gegërishtes letrare dhe toskërishtes letrare, “gegërishtja dhe toskërishtja nuk janë dy dialekte të së njëjtës gjuhë, ata janë dy gjuhë të ndryshme” (vep. cit. f. 56; korsivi, në këtë shembull, është i Pipës). Duket sikur, në mënyrë qoftë edhe të pavetëdijshme, Kostallari e përfytyronte gegërishten letrare jo vetëm si variant konkurrent të standardit të vitit 1972, por edhe si gjuhë konkurrente të shqipes standard; ky marifet i vogël, por me pasoja të rënda, do të lejonte edhe referimet e shumta, eksplicite dhe implicite, ndaj ideve të Stalinit për përplasjen mes gjuhëve, në perspektivën e një darvinizmi linguistik primitiv, por të efektshëm. Nëse është kështu, atëherë përfytyrimi i gegërishtes (më saktë, shkodranishtes katolike) si zhargon të antikomunizmit, gjatë viteve të totalitarizmit, nuk ishte aq folklorik sa ç’kujtohet; meqë në aspektin thjesht kulturor armiku i klasës, për t’u identifikuar, kishte nevojë edhe për një gjuhë të vetën, së paku nga pikëpamja marriste; dhe, prapë së paku, në atë masë që njësimi i shqipes gjatë po

atyre viteve përkoi me homogjenizimin kulturor dhe ideologjik të shoqërisë shqiptare (mënjanimi me dhunë i diversitetit: në politikë, në kulturë, në fe, në ligjërim). KTHEHET KRISTOFORIDHI January 18, 2011 by Xha Xhai Qëkur u botua në fund të viteve 1980, libri i Arshi Pipës me titull The Politics of Language in Socialist Albania pati meritën që ta gjallëronte në mënyrë të jashtëzakonshme debatin për historinë e shqipes së njësuar (standard) në kontekstin e reformave të ndërmarra nga regjimi komunist në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XX. Këtë libër e ka sjellë tani në shqip shkrimtari dhe përkthyesi Primo Shllaku, tashmë edhe drejtor i Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe; i njohur edhe si një nga promotorët më të respektuar të lëvrimit të pavarur të gegërishtes letrare në botime të reja, nga autorë të rinj. Librin e ka botuar “Botimet Princi” (tetor 2010) me titullin e dyfishtë: Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste/Politika e Gjuhës në Shqipninë Socialiste.

Kopertina në gegërishte Ka një logjikë që bashkon qëndrimet e Arshi Pipës, në lidhje me fatet e gegërishtes letrare të përndjekur politikisht në vitet e stalinizmit shqiptar dhe zotimin e Primo Shllakut, poet dhe njohës i shkëlqyer i këtij varianti letrar të shqipes, për ta sjellë librin e të parit në gjuhën shqipe. Kjo logjikë manifestohet edhe në strukturën e pazakontë të librit; meqë Shllaku e ka shqipëruar veprën e Pipës edhe në shqipen e njësuar, edhe në gegërishten letrare, me një gjest që të kujton, njëfarësoj, një ndërmarrje të dikurshme të Kristoforidhit, që i shkroi të dy dialektet e shqipes. Këto dy versione nuk janë vënë krah për krah (testo a fronte), por shpinë më shpinë; për të kaluar nga njëri tek tjetri, libri duhet të rrotullohet, ose faqja e fundit të bëhet e para. Ja si tingëllon në të dy versionet një pasazh çfarëdo, i nxjerrë arbitrarisht nga libri: Standard Gegnishte Gramsci është i prerë lidhur Gramsci âsht i premë lidhë me me qasjen historike për qasjen historike për studimin e studimin e gjuhës, kur gjuhës, kur specifikon se “nji specifikon se “një autor autor gramatike normative nuk gramatike normative, nuk mund ta shpërnjofë historinë e mund ta shpërnjohë historinë e ksaj gjuhe.” Reforma e GjNjL kësaj gjuhe.” Reforma e âsht ahistorike par excellence. GjNjL është ahistorike par Rregullat kryesore në

excellence. Rregullat kryesore institucionalizimin e GjNjL janë në institucionalizimin e GjNjL hartue në shpërfillje të skâjshme janë hartuar në shpërfillje të të historisë së gjuhës shqipe. skajshme të historisë së gjuhës shqipe. Natyrisht, vetë zgjedhja e përkthyesit për ta dhënë librin e Pipës në dy versione të ndryshme të shqipes së shkruar është homazh ndaj autorit të saj, i cili e përjetoi në kurriz, si njeri dhe si studiues dhe si poet, çizmen e rëndë të diktaturës. Përndryshe libri i Pipës mund të ishte përkthyer edhe në arbërishte (Camaj, në gramatikën e vet, i studion krah për krah toskërishten, gegërishten dhe arbërishten), vetëm se pastaj, për ta shtypshkruar, do të duhej shfrytëzuar edhe dimensioni i katërt. Me daljet e veta në publik, Shllaku gjithnjë ka mbrojtur idenë se gegërishtja letrare (ose më saktë, shkodranishtja letrare) duhet të lëvrohet si e tillë, duke u promovuar nëpërmjet letërsisë (një intervistë e tij mund të lexohet këtu). Megjithatë, vendimi i tij jo vetëm për ta përkthyer veprën e Pipës në gegërishte, por edhe për ta vënë këtë përkthim krah për krah me versionin në shqipen standarde, si të barabartë, ka implikime që shkojnë më thellë se synimet e shpallura të Institutit të Shllakut, për ta mbajtur të ndezur pishtarin e një tradite të vyer kulturore dhe që ka edhe shumë ç’t’i japë kulturës shqiptare. Kjo sepse vepra e Pipës është jo vetëm gjuhë, por edhe metagjuhë; ose tekst (ligjërim, diskurs) që flet për gjuhën, e ka gjuhën për objekt, është i kthyer me fytyrë nga vetvetja; madje, më tej akoma, është një tekst në gegërishten letrare që flet, ndër të tjera, për mënyrën si u likuidua gegërishtja letrare nga kultura zyrtare në Shqipëri, gjatë viteve të regjimit komunist. Në të vërtetë, një gjë është të nxitësh përdorimin e një varianti letrar për të shkruar letërsi, një gjë tjetër është ta përdorësh këtë variant në tekste metagjuhësore. Këto të dytat lypin një nivel të ri, më të lartë, të artikulimit gjuhësor. Në rrafshin praktik, kjo përthyhet, ndër të tjera, në mundësinë për t’i pasur një ditë edhe tekstet shkollore në shkodranishte, çka është cilësisht, madje rrënjësisht e ndryshme nga nevoja për ta studiuar gegërishten letrare në shkollë; dhe që, në thelb, i hap rrugën çdo përpjekjeje për autonominë, të paktën kulturore-gjuhësore të Shkodrës (këtu më vjen në mend Catalunya, por vetëm si shoqërim idesh, hë për hë). Kjo nuk ka të bëjë me çfarë synimesh ka pasur pikërisht Shllaku në mendje, kur i është futur kësaj ndërmarrjeje; por me efektet e saj objektive në kulturën shqiptare, të cilat nuk mund veçse të jenë subversive. Thashë më lart që, në vëllim, shqipja standard dhe gegërishtja letrare trajtohen si të barabarta, ose në të njëjtin rrafsh; kjo vlen në përgjithësi, meqë në detajet nuk ka dyshim se libri është përkthyer dhe përgatitur në gegërishte, ndërsa versioni në shqipen standard ose të njësuar është shtuar më pas, për ata lexues që e preferojnë shqipen të shkruar sipas normave të 1972shit. Versioni në gegërishte ka edhe një “parathanie” të shkruar nga vetë Shllaku, si dhe bibliografinë e hartuar nga Pipa; të cilat janë lënë jashtë kundërversionit në standard; po ashtu, versioni në standard i ka të gjitha shënimet në fund të faqes të shkruara në gegërishte (nuk jam në gjendje të them nëse Shllaku i ka harruar ashtu, apo i ka lënë qëllimisht në tekst), çka përfton një efekt të pakëndshëm në lexim, duke i përzier format e shqipes së shkruar. Ja një shembull i nxjerrë nga një faqe e librit, që dëshmon bashkëjetesën, në të njëjtën faqe, të shqipes së njësuar në tekst dhe të gegërishtes letrare në shënimet: Përndryshe, botimi në shqip i veprës së rëndësishme të Pipës u përcoll me heshtje; asnjë fjalë nuk u tha për të në konferencën e fundit gjuhësore të Durrësit; pak u shkrua në shtyp; munguan analizat dhe kritikat e nevojshme. Establishment-i i vjetër akademik, në Tiranë, e ka pritur me përbuzje këtë studim, në një kohë që të tjera segmente, sa joakademike aq edhe lokaliste dhe centrifugale, e kanë përshëndetur si dokumentin bazë të ringjalljes kulturore të Shkodrës dhe, në përgjithësi, të komponentit geg në kulturën shqiptare. Primo Shllaku është nga të paktët që e ka kuptuar, prej vitesh, se kjo ringjallje nuk mund të kryhet vetëm nëpërmjet vullnetit politik për të ndrequr padrejtësitë dhe krimet e së shkuarës;

duhet edhe frymë proaktive, krijuese dhe bashkëpunuese, për të provuar se fermentet kulturore në Shkodër kanë mbetur gjallë; sikurse ka kuptuar se ringjallja nuk do kuptuar si rikthim në situatën kulturore-gjuhësore të viteve 1930, kur institucionet e kulturës katolike në Shkodër lulëzonin si kurrë ndonjëherë më parë dhe më pas. Megjithatë, dhe në fund të fundit, është mirë që studiuesve të shqipes dhe studentëve të degëve filologjike në universitetet t’u jepet në dorë, në shqip, kjo vepër e Pipës, si interpretim krejt alternativ, në mos subjektiv, i procesit të ngjizjes së shqipes së njësuar, gjatë shekullit XX dhe veçanërisht nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Koha do të tregojë nëse efekti subversiv i aktit të botimit të veprës në trajtën dy-variantëshe, ose edhe thjesht i vendimit të Shllakut për ta dhënë Pipën të përkthyer në gegërishten letrare do ta amplifikojë apo do ta dobësojë efektin pa dyshim pozitiv që do të ketë kjo vepër në debatet kulturore të tashme dhe të ardhme. KONFERENCA GJUHËSORE: PËRFUNDIMET December 17, 2010 by Xha Xhai Më poshtë po përcjell përfundimet zyrtare të konferencës shkencore me temë “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, që u mbyll sot, para pak orësh. KONFERENCA SHKENCORE « Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit » Durrës, më 15, 16 dhe 17 dhjetor 2010 PËRFUNDIME Konferenca Shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, me pjesëmarrjen e specialistëve nga tërë hapësira shqiptare, i zhvilloi punimet më 15-17 dhjetor në Durrës. Konferenca u zhvillua në pesë sesione. Në secilin sesion u paraqitën dy referate që sollën trajtime të thelluara të temës së sesionit, si dhe një numër prej pesë deri shtatë kumtesash që u përqendruan në problemet e veçanta. Mbi referatet dhe kumtesat e paraqitura në sesione u zhvilluan diskutime në përfundim të çdo sesioni, në të cilat diskutuesit sollën argumentet e tyre në mbrojtje, në kundërshtim, ose në specifikim të problemeve të veçanta. Pesë sesionet patën përkatësisht këtë tematikë: I – Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni; II – Probleme gramatikore të standardit; III – Probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit; IV – Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma leksikore; V – Standardi dhe norma letrare (letërsia, shkolla, mediat). Konferenca i zhvilloi punimet në frymën e një debati konstruktiv dhe bashkëpunues, i karakterizuar nga profesionalizmi shkencor dhe, përgjithësisht, nga interesi për të dëgjuar argumentet e kolegëve dhe për të qenë i hapur ndaj tyre. Konferenca arriti në përfundimet e mëposhtme: 1) Megjithëse u vendos në një epokë të ngarkuar me ideologji dhe me mungesë të lirisë shkencore, standardi gjatë gjithë këtyre viteve e ka dëshmuar vlefshmërinë e tij. 2) Praktika e përdorimit të shqipes standarde në këto dyzet vjet dëshmon se shqipja, ashtu si të gjitha gjuhët e lëvruara, ka nevojë që t’i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet. 3) Është e nevojshme që të shqyrtohen më tej disa rregulla të drejtshkrimit, me qëllim njësimin e tyre dhe shmangien e konflikteve të krijuara si pasojë e zbatimit të dy parimeve të ndryshme njëherësh (atij fonetik dhe atij morfologjik). Në mënyrë të veçantë, drejtshkrimi i zanores ë ka nevojë për rishqyrtim. 4) Të rishikohet përdorimi i shkronjës së madhe, drejtshkrimi i emrave të huaj të përveçëm, si dhe drejtshkrimi i toponimeve. 5) Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për

pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme. 6) Të thellohet puna për begatimin, njësimin dhe kodifikimin e terminologjisë në të gjitha fushat. 7) Në sistemin morfologjik, të rishqyrtohet formimi i shumësit të emrave, për një saktësim të mëtejshëm paradigmatik, duke synuar njësimin dhe shmangien e përjashtimeve të shumta. 8) Të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes. 9) Studimet dhe hulumtimet të jenë të hapura edhe në fushën e sintaksës. 10) Nxënia e shqipes në shkollë, në të gjithë hapësirën shqiptare, ka shfaqur vështirësi dhe probleme, ndaj propozohet përmirësimi i kurrikulave, i teksteve, i metodave të mësimdhënies, si dhe aftësimi i mëtejshëm i mësuesve të gjuhës amtare. 11) Në konferencë u shfaqën edhe shumë mendime e teza të veçanta lidhur me standardin dhe me përdorimin e shqipes. Konferenca dëshmon se debati për çështjet e normës së shqipes dhe të përdorimit të saj është një debat pjellor, i cili e pasuron mendimin gjuhësor shqiptar dhe hap perspektiva studimore e kërkimore të domosdoshme për etapën e sotme të zhvillimit të shqipes. 12) Krijimi i Këshillit Mbarëshqiptar për Gjuhën, me statusin e personit publik, mund të jetë një rrugë e mirë për t’u gjetur zgjidhje çështjeve të rëndësishme të politikave gjuhësore, të planifikimit të gjuhës, dhe të strategjisë për zhvillimin dhe mbrojtjen e shqipes. Komisioni Shkencor i Konferencës vlerëson se konferenca i mbylli punimet me sukses dhe se, në perspektivën e përfundimeve më sipër, duhet vijuar me studime të thelluara për çështje të veçanta, si dhe duhen gjetur mënyrat dhe mundësitë që puna e nisur të vazhdojë në mënyrë periodike, në përputhje edhe me porosinë e dalë nga Kongresi i Drejtshkrimit, në të cilin u sanksionua kodi normativ i shqipes:“Struktura e sotme e gjuhës letrare është e hapët e do të mbetet e tillë. Përndryshe zhvillimi i gjuhës letrare do të ndërpritej. Ai që ne quajmë ‘kristalizimi përfundimtar i normës’ në të vërtetë nuk është kurrë përfundimtar, i përjetshëm, statik; ai duhet kuptuar si vendosje e një qëndrueshmërie tipike, por relative të normës, e cila është dinamike, zhvillohet e përsoset.” Komisioni Shkencor i Konferencës: Prof. Dr. Ardian Marashi, kryetar Akademik Kolec Topalli, anëtar Akademik Ethem Likaj, anëtar Prof. Dr. Imri Badallaj, anëtar Prof. As. Dr. Valter Memishaj, anëtar Xha Xhai [ja edhe platforma zyrtare e konferencës] Konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit” Parashtrimi: Në qendër të veprimtarive të edicionit II të Ditëve të Albanologjisë do të jenë konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit” dhe tryezat e punës rreth zhvillimeve aktuale të gjuhës shqipe, politikave gjuhësore dhe planifikimit gjuhësor. Shqipja e sotme gjallon si gjuhë e mbarë shqiptarëve në formën e dy dialekteve kryesore dhe në variantin shqipe standarde. E ndodhur përballë hapjes dhe liberalizimit të shoqërisë shqiptare, ajo po pëson zhvillime të fuqishme të brendshme, që lidhen me shtimin e jashtëzakonshëm të kontakteve ndërmjet vetë shqiptarëve, me migrimet dhe me emigracionin, me rikonfigurimin gjeopolitik e gjeokulturor të faktorit shqiptar në rajon, si dhe përgjithësisht me ngritjen e përshpejtuar ekonomike, sociale e kulturore të shoqërive shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit. Gjuha shqipe po kalon një proces të vrullshëm zhvillimi e pasurimi dhe në këtë

dinamikë lipset shqyrtuar edhe vetë standardi, si një variant i saj. Vërejmë se disa nga dukuritë dhe problemet e shumëllojshme që janë bërë të pranishme mbas Kongresit të Drejtshkrimit, kanë tërhequr më shumë vëmendjen e publikut sesa të gjuhëtarëve, ndërkohë që situata e sotme gjuhësore nuk e toleron më këtë komoditet. Gjykojmë se ka ardhur koha që çështja të shihet pa pasione të ndezura, në një prizëm thjesht shkencor, për të evidentuar me përgjegjësi problematikat e krijuara, me një vështrim përfshirës dhe me parashikime afatmesme e afatgjata. Qëllimi: Konferenca shkencore do të evidentojë problematikat e ndryshme e të shumëllojshme të situatës gjuhësore mbas vitit 1990, duke nxjerrë në pah nevojën e pasurimit të shqipes me mjetet e saj të brendshme, nevojën e rishikimit e të rikodifikimit të disa normave të standardit, si dhe nevojën për të ndërmarrë politika gjuhësore të guximshme, në bazë të miratimit të një legjislacioni për zhvillimin e shqipes dhe për përkujdesjen institucionale e mbarëshoqërore ndaj saj. Konferenca shkencore mbarëkombëtare synon jo thjesht t’i ndërgjegjësojë specialistët e gjuhës shqipe rreth problematikave të reja gjuhësore të krijuara mbas hapjes së shoqërisë shqiptare dhe rivendosjes së komunikimit mes pjesëve të saj në nivel gjithëkombëtar, por kryesisht t’i ftojë ata që të pozicionohen shkencërisht dhe të japin kontributin e tyre për çështjet konkrete, të evidentuara tashmë në përdorimin e përditshëm, të folur e të shkruar, të shqipes. Ky hap i rëndësishëm në shqyrtimin e situatës gjuhësore aktuale nga kjo konferencë, do të mundësojë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ndërmjet specialistëve dhe institucioneve në rrafsh mbarëkombëtar, me qëllim që të përcaktohen rrugët dhe format e mundshme të përmirësimit të standardit, nëpërmjet aplikimit të politikave gjuhësore të qëndrueshme në perspektivë. Përfituesit direktë dhe indirektë: Gjuhësia shqiptare, shkolla shqipe, mediat, shteti shqiptar dhe institucionet, shoqëria shqiptare, kombi dhe diaspora shqiptare, studiuesit e huaj të shqipes dhe mbarë komuniteti ndërkombëtar i folësve të shqipes. Xha Xhai Ja edhe lista e pjesëmarrësve të konfirmuar:

Shumë prej këtyre janë specialistë të shkëlqyer në fushat e tyre; le të shpresojmë se do të dinë t’i rrinë larg ideologjizimit dhe tundimit për ngutje. Xha Xhai Unë jam dhe mbetem outsider për qarqet akademike dhe universitare të Tiranës, por disa gjëra mund t’i them me siguri: së pari, Akademia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ishin të përfaqësuara mirë në Konferencë, në të gjitha nivelet; së dyti, nga Fakulteti Histori-Filologji ishte së paku shefja e dept. të Gjuhësisë, Aljula Jubani. Dy specialistë të tjerë, Gjovalin Shkurtaj dhe Kristina Jorgaqi, e kishin konfirmuar praninë e tyre, por u tërhoqën në sekondën e fundit. Së treti, të tjerë ekspertë të mirënjohur, si Emil Lafe, ishin ftuar por për arsye të ndryshme e refuzuan pjesëmarrjen. Xhevat Lloshin e takova vetë gjatë ditëve të Panairit të Librit dhe e pyeta se pse nuk po vinte në konferencë: m’u përgjigj se e kishin lajmëruar vonë dhe s’i kishin dhënë kohë të përgatitej – çka s’më bindi shumë. Megjithatë, asnjë arsye serioze nuk shpjegon se pse Jorgji Gjinari, Met Çeliku, Ferdinand Leka, Tomorr Osmani, Bahri Beci dhe Seit Mansaku ishin në konferencë, ndërsa Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Remzi Pernaska dhe Enver Hysa jo – i përkasin të njëjtit brez dhe kanë pikëpamje pak a shumë të ngjashme për shqipen. Prof. Shaban Demiraj, ndër firmëtarët e letrës kontestuese, ka kohë që nuk lëviz nga krevati, pse i sëmurë rëndë; i biri, prof. Bardh Demiraj, jo vetëm që erdhi në konferencë vetë dhe mori pjesë aktive atje, por edhe la të kuptonte, ditën e fundit të punimeve se i jati ishte manipuluar, për ta firmosur atë letër. Jam i

sigurt se prof. Shabani nuk është nga ata që do t’i shmangej debatit, qoftë edhe me David Lukën. Të tjerë bojkotues të konferencës, dhe firmëtarë të njoftimit për opinion, që u botua PARA konferencës duke paragjykuar në mënyrë qesharake punimet e saj, nuk janë veçse njerëz të fryrë me veten, të cilët kanë marrë përsipër të mbështillen me flamurin kombëtar në këtë moment, pa kuptuar shumë nga punët e gjuhës (me pretekstin se patriotizmi ua përligj protagonizmin); madje disa prej tyre s’mund të ekzistojnë publikisht, në këtë periudhë, veçse duke kundërshtuar (me forcë) zhvillime të ndryshme. Nuk dua të përmend emra konkretë, por nga informacione private që kam, që nuk i sjell dot këtu pse s’më takon mua t’i bëj publike, më rezulton se politizimi i skajshëm i kësaj konference ka ardhur, këtë herë, nga krahu i bojkotuesve (kam parë me sy dokumente nga më të çuditshmet, të tilla si një letër drejtuar Edi Ramës, nga një prej firmëtarëve të letrës së hapur, ku i kërkohej Kryetarit të PS-së që t’i vinte fré “deputetes” Ledi Shamku-Shkreli, e cila përfaqësokësh PS-në në Konferencë). Më në fund, konferenca nuk nxori ndonjë rezolutë, por vetëm përfundime, të cilat nuk u nënshkruan nga pjesëmarrësit, as u votuan. Ky dallim do mbajtur mirë parasysh. Përfundimet, të cilat i afishova edhe këtu në PTF, kanë për qëllim vetëm të informojnë se çfarë u tha e u bë në Konferencë – e cila, në thelb, nuk ishte veçse një konsultë ekspertësh për çështjen e standardit. Sa për anën institucionale të problemit, më duket se këtë e trajtoi hollësisht dhe zgjidhjen ia formuloi kryesisht Rexhep Ismajli (Prishtinë), i cili është ekspert i politikave gjuhësore. Çështja u debatua me zjarr të madh ditën e fundit, por më duhet të pranoj se nuk e ndoqa debatin me shumë interes; vetëm se, e theksoj, ndryshimet në drejtshkrimin e shqipes standard nuk i rekomandon konferenca vetë, as mund t’i rekomandojë, por vetëm ai organizëm ose këshill mbarëkombëtar, i cili mbetet për t’u formuar dhe miratuar, me ligj, nga parlamentet e Shqipërisë dhe të Kosovës (të paktën). DY LEXIME TË NJË TITULLI November 22, 2010 by Xha Xhai Ditët e fundit, gjuhëtari Rahmi Memushaj, në një shkrim te Shekulli me titullin “Gjuha standarde, krijesë kombëtare, jo totalitare”, i referohet gjerësisht librit tim Shqipja Totalitare, të botuar në 2009. Pasi përshkruan mënyrën si krijua gjuhësisht standardi i vitit 1972, Memushaj shkruan: Pra, gjuha standarde shqipe nuk është “gjuha e komunizmit shqiptar”, pjellë e totalitarizmit, po krijesë kombëtare, fryt i përpjekjeve për të ruajtur njësinë e kombit. Fakti që gjermanishtja i shërbeu Hitlerit, italishtja Musolinit dhe japonishtja Hirohitos, nuk dimë t’i ketë shtyrë gjuhëtarët e këtyre vendeve t’i quajnë këto gjuhë totalitare. Është e vërtetë që regjimet totalitare e përdorin gjuhën si mjet propagande, duke ndërhyrë në leksikun e saj dhe duke ndërtuar me mjetet gjuhësore një ligjërim të veçantë, po kjo nuk do të thotë aspak se kjo i bën gjuhët totalitare, sikundër mëton A. Vehbiu, i cili, duke u nisur nga një silogjizëm, arrin në përfundimin se “përdorimi që i bëhet një instrumenti sjell ndryshime në instrumentin vetë”. Tjetër gjë është ligjërimi dhe tjetër gjë sistemi që shfrytëzohet në ligjërim. Të flasësh për shqipe totalitare, do të thotë të pranosh se para saj ka ekzistuar një shqipe “mbretërore” dhe sot një shqipe “demokratike”, dmth. të thuash marrëzira. Natyrisht, argumenti i Memushajt është i tipit “straw man”; ai nuk i referohet librit tim, por një fantazie që i ka lindur në kokë, kur ka parë librin tim në vetrinë të librarisë, për së largu.

E them këtë, sepse unë e kam sqaruar, që në nëntitull të librit tim pa folur pastaj për librin vetë, se merrem me “tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990.” Madje, kush e ka shfletuar atë libër, do ta ketë parë që unë atje merrem fare pak me çështjen e standardit, duke u ndalur vetëm në aspektet totalitare të politikës gjuhësore që u ndoq nga regjimi për ta imponuar në shoqërinë shqiptare, duke i dëbuar nga përdorimi publik format alternative, si gegërishten e Shkodrës. Por Shqipja totalitare, si formë ligjërimore dhe si temë e studimit tim, nuk ka të bëjë aq me standardin sesa me marrëdhëniet e pushtetit me ligjërimin publik. Me fjalë të tjera, Memushaj e shtrembëron qëllimisht përmbajtjen dhe mesazhin e librit që kam shkruar, çka nuk e nderon si gjuhëtar dhe si njeri. Së njëjtës çështje, ose komentimit të titullit të librit tim, i është kthyer edhe shkrimtari I. Kadare, në librin e tij Mosmarrëveshja, të botuar ditët e Panairit të Librit në Tiranë. Edhe Kadareja shkruan disa faqe për ta mbrojtur standardin nga sulmet e “albanologëve të rinj”, siç i quan ai, dhe pastaj i rezervon një shënim të tërë Shqipes totalitare, të cilin po e riprodhoj më poshtë: Në librin “Shqipja totalitare” të A. Vehbiut, midis kundërthënieve, është pikërisht ajo që ka lidhje me titullin: nëse mund të ketë shqipe totalitare, në kohën që, për shembull, as rusishte, as gjermanishte të tillë s’ka, ndonëse rusishtja e ka pasur totalitarizmin dy herë më gjatë mbi shpinë, kurse gjermanishtja ka provuar bitotalitarizmin. Ajo që cilësohet si “gjuhë e drunjtë”, “e tharë” ose “burokratike” është tipar gjithëbotëror, që më shumë ka lidhje me stilin dhe varfërinë e të shprehurit sesa me vetë makinën gjuhësore. Dihet se kjo e fundit shërben në mënyrë krejtësisht asnjanëse dhe kjo, më fort se në shumë gjuhë të tjera, ndihet pikërisht te shqipja. Dëshirorja (optativ-i) i shqipes është shembulli më i qartë se si mekanizmi gjuhësor vihet në shërbim të bekimit ose të mallkimit me të njëjtën shpërfillje. Sa për shprehjet “hi e pluhur”, “në jetë të jetëve” e të tjera të ngjashme, që autori sjell si shembuj, ato siç mund të hyjnë në punë në një mbledhje ku dënohen armiqtë e komunizmit, po aq mund të përdoren në një kishë, ku kryhet një meshë a një përshpirtje. (Mosmarrëveshja, Onufri 2010, f. 187). Siç shihet, ka një paralelizëm pothuajse të plotë mes këtyre dy kritikëve, çfarë më bën të mendoj se Memushaj do ta ketë lexuar Kadarenë, para se të kuturisej të kritikonte edhe ai një titull libri. Natyrisht, edhe Kadareja e ndërton keq argumentin. Pyetjes nëse mund të ketë shqipe totalitare ose jo, do t’i përgjigjem kështu: nëse të japin në dorë një tekst të ligjërimit publik të atyre viteve, ti menjëherë do ta dallosh se është hartuar atëherë; studimi im merr përsipër, para së gjithash, të shkoqitë se cilat janë ato tipare që e bëjnë ligjërimin publik të asaj kohe kaq unik, kaq të dallueshëm dhe kaq të identifikueshëm si shqipe të kohës së regjimit totalitar. Këtë unë e quaj shqipe totalitare – por s’do mend se çështja e standardit këtu nuk hyn fare, meqë përthyerja e pushtetit totalitar në ligjërimin publik bëhet në nivelet pragmatike, semantike, retorike dhe përgjithsisht diskursive të këtij ligjërimi. Pyet Kadareja “nëse mund të ketë shqipe totalitare, në kohën që, për shembull, as rusishte, as gjermanishte të tillë s’ka”; në të vërtetë, ka, dhe ka kohë që studiohet; monografitë kryesore, si ajo e Patrick Seriot për rusishten sovjetike (Analyse du discours politique soviétique), ose e Victor Klemperer për gjermanishten naziste (The language of the Third Reich, kjo e fundit në trajtë eseje letrare, jo studimi akademik) i kam përmendur edhe në bibliografinë e librit. Po

këtë argument e sjell edhe Memushaj: “Fakti që gjermanishtja i shërbeu Hitlerit, italishtja Musolinit dhe japonishtja Hirohitos, nuk dimë t’i ketë shtyrë gjuhëtarët e këtyre vendeve t’i quajnë këto gjuhë totalitare” (vëreni shtrembërimin flagrant që bën ky i fundit – unë s’e kam quajtur gjuhën shqipe gjuhë totalitare, por vetëm kam analizuar mënyrën si u pasqyrua totalitarizmi në ligjërimin publik të shqipes). Duke iu referuar gjuhës (langue) si instrument komunikimi, edhe Kadareja edhe Memushaj arsyetojnë njëlloj, dhe pikërisht se gjuha, në dallim nga ligjërimi, nuk ndikohet nga përdorimi që i bëhet. Kadareja: Dihet se kjo e fundit shërben në mënyrë krejtësisht asnjanëse dhe kjo, më fort se në shumë gjuhë të tjera, ndihet pikërisht te shqipja. Memushaj: Tjetër gjë është ligjërimi dhe tjetër gjë sistemi që shfrytëzohet në ligjërim. Natyrisht, kjo është edhe teza e njohur e Stalinit, artikulli i të cilit për marksizmin dhe çështjet e gjuhësisë ishte pjesë e detyrueshme e katekizmit totalitar, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ku jemi kunguar të gjithë: edhe Kadareja, edhe Memushaj, edhe unë vetë. Prandaj, edhe sikur argumenti i Stalinit të jetë i drejtë (për çfarë unë kam rezervat e mia, meqë teksti i Stalinit më tingëllon po aq i drunjtë sa edhe Stalini vetë), Kadare dhe Memushaj e kanë përdorur atë argument pa vend. Nëse Kadareja është para së gjithash shkrimtar dhe mund t’i falet ngatërresa që bën mes gjuhës dhe ligjërimit si dhe pasaktësi të tjera në pasazhin e cituar (pa përmendur pastaj faktin që argumenti i tij është i përshkuar nga diskursi stalinian: vëreni termat “makina gjuhësore”, “mekanizmi gjuhësor”, të cilat i referohen drejtpërdrejt zhargonit të parashtresës së Stalinit për marksizmin në gjuhësi, si dhe konceptimin e gjuhës si makinë ose mekanizëm, i cili nuk është aq i mirëqenë dhe i mirëditur sa ç’e bën Yni), Memushaj, si gjuhëtar që është, nuk ngatërron asgjë, por vetëm manipulon, duke shpresuar në padijen e lexuesit. Ja një shembull konkret i histerisë së Memushajt: Të flasësh për shqipe totalitare, do të thotë të pranosh se para saj ka ekzistuar një shqipe “mbretërore” dhe sot një shqipe “demokratike”. Po si kështu? Ndryshe nga forma të tilla të organizimit të shtetit, si monarkia ose demokracia, totalitarizmi dallohet pikërisht ngaqë shteti, nëpërmjet pushtetit, jo vetëm merr kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e jetës sociale dhe individuale, duke përfshirë edhe përdorimin që i bëhet gjuhës; por edhe e ushtron këtë kontroll në mënyrë të dhunshme ose me rrugë policore. Në totalitarizëm, çdo aspekt i komunikimit publik kontrollohej nga pushteti dhe i shërbente para së gjithash riprodhimit të tij, çfarë nuk mund të thuhet as për monarkinë, as për demokracinë… STANDARDI: ZËRA ALTERNATIVË November 18, 2010 by Xha Xhai Shkrimtari Primo Shllaku, drejtor i Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhë Shqipe, parashtron sot, te Gazeta Shqiptare, qëndrimin e tij në lidhje me standardin ekzistues të shqipes. Shllaku u kundërvihet jo vetëm të gjithë atyre gjuhëtarëve të cilët gjykojnë se standardi nuk ka arsye të preket, madje edhe vetë konferenca e dhjetorit nuk ka arsye për t’u mbajtur, por edhe atyre të tjerëve, të cilët flasin veç për “meremetime të vogla në fytyrën e standardit, si me thanë, se dikush duhet të marrë nji pickatore dhe, shumë-shumë, të hjekë ndonji qime në vetullën e tij dhe kaq.” Veçanërisht, ai polemizon me një shkrim të tanishëm të gjuhëtarit veteran Emil Lafe, një nga arkitektët e gjuhës së njësuar dhe standardit të sanksionuar nga Kongresi Drejtshkrimor i vitit 1972; në të cilin shkrim, Lafe argumenton se standardi nuk duhet marrë si “produkt komunist”. Shllaku nuk e fsheh pozicionin e vet ndaj kësaj çështjeje, duke specifikuar se:

[S]tandardi ishte produkt i komunizmit shqiptar, se ai u vendos nga nalt poshtë e me diktat, sado t’i themi se ai kishte në thelb metodat e vendosjes së hegjemonisë dhe të monopolit, se ishte produkt i nji konsensusi në diktaturë. Këtu ka vend për një objeksion të menjëhershëm: a ishte standardi, apo standardizimi (dhe politikat e zbatimit) produkt i komunizmit shqiptar? Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për hekurudhën Rrogozhinë-Fier: ajo hekurudhë ekziston edhe sot e kësaj dite dhe nuk ia kujton kujt komunizmin; por mënyra si u ndërtua, me punë vullnetare, ishte krejtësisht komuniste. Gjithsesi, jo të gjithë do të binin dakord me homologimin e gjuhës së njësuar, si dukuri sociale me valenca kulturore dhe ideologjike, dhe një hekurudhe, e cila i përket infrastrukturës; dhe këtë nuk mund ta diskutojmë tani. Shqetësimi kryesor i Shllakut ka të bëjë me dëmin objektiv që po u shkakton standardi i sotëm shkrimtarëve të gegërishtes dhe traditës letrare gege. Duke iu drejtuar atyre që mendojnë se standardi nuk ka gjë për të ndryshuar, ai shkruan: Na ban shum përshtypje se kta gjuhëtarë të nderuem nuk merakosen fare për letërsinë dhe shkrimtarët si përdoruesit e alkimistët e gjuhës që fjalën e thjeshtë e të rëndomtë e kthejnë në stofë të çmueshme të tingullit e të rezonancës. Edhe pse kanë kalue 40 vjet të thukta e kritika janë ngritë kta 20 vjetët e fundit, ata nuk na thonë asnji fjalë për letërsinë e shkrueme në gegnisht, si do t’i bâhet halli asaj, a duhet që për hatër të standardit të sakrifikojmë letërsinë gege që lavrohet tash 500 vjet të rrasta e që përban traditën e madhe letrare e humaniste të kulturës sonë të shkrimit. A mendojnë kta se me ket standard sui generis, të ngurtësuem rreptsisht mbrenda kufîjve të tosknishtes ose edhe të hipertosknishtes, mbas nji 50-vjeçari tjetër na do të mbetemi pa ‘Eposin e Kreshnikëve’, pa ‘Kanunin e Lekë Dukagjinit’, pa kuatrinën e autorëve të vjetër, pa Vaso Pashën, pa Fishtën, pa Mjedën, pa Prenushin e Shantojën, pa Migjenin e Esad Mekulin, pa Pashkun e pa Camajn, pa Zorbën e poetët e msheftë të kohës së diktaturës si dhe gati 40 shkrimtarë mâ të rij që shkruejnë aktualisht me zell e me dashuni të kulluet për letrat e traditën e kryedialektit verior. Apo me sui generis kuptojnë ketë indiferencë e anmiqsi të ktij standardi ndaj letërsisë kombtare e, pikërisht, ndaj asaj mâ të mirës e me traditë mâ të gjatë e me nord të shkoqun kah Prendimi? Në cilën praktikë botnore, të sotme ose të djeshme, krijimi i nji standardi mund t’i fshijë nga faqja e dheut letërsisë së vet nji parcele kaq gjigande të prodhimit letrar të gjatëkohësisë e të bashkëkohësisë dhe të vazhdojë me u quejtë gati i përsosun? Për hatër të moshës e të punës me landën e shêjtë të gjuhës tonë po e pranojmë se standardi nuk qenka produkt i komunizmit, se gjuha nuk âsht kuvend ku përfaqësohen krahinat, por kuvend ku u imponohesh krahinave, por të paktën na thoni ju, gjuhëtarët, se si do t’i vejë halli ktij korpusi gjigand letrash shqipe me stampë traditën e lashtë e moderne gege, në qoftë se na e vazhdojmë aparteidin ndaj saj dhe zbatojmë edhe sot si atëherë ligjin e msheftë e dinak të monopolit? [theksimi im, 2Xh] Shqetësimi është i drejtë, por themelohet mbi një ngatërresë të madhe. Standardi i shqipes ekziston, para së gjithash, si marrëveshje për të përdorur një formë zyrtare të shqipes në publik dhe për të njësuar shqipen e përdorur në ligjet, në dokumentet shtetërore, në tekstet mësimore dhe shkencore, në mediat mbarëkombëtare – kërkesë dhe nevojë legjitime e një shteti modern. Marrëdhëniet e këtij standardi me letërsinë shqipe të vjetër dhe bashkëkohore, në rrethanat e sotme, mbeten të ndërmjetësuara nga tradita, dhe shijet individuale të autorëve që përdorin forma alternativa ndaj standardit. Sidoqë të jetë standardi i shqipes, çfarëdo forme që të marrë, ai nuk mund t’i përfshijë njëkohësisht edhe Buzukun, edhe Zyko-Kamberin, edhe De Radën, edhe Fishtën, edhe Skiroin, edhe Camajn – sepse ashtu nuk do të ishte standard, por mish-mash. Ky është gabimi i madh – por shumë i madh – që i shpëton Shllakut. Ai e denoncon me forcë monizmin totalitar, por i mbetet besnik një mënyre të menduari moniste, sa kohë që implikon se standardi ose mund të hapet ose do të mbetet i mbyllur; duke përjashtuar, gjithnjë me nënkuptim, se standardi do të mund të hapet, në disa nivele, vetëm

nëse qëndron i mbyllur, në disa nivele të tjera; dhe se reforma drejtshkrimore ose normative (p.sh. që fjala pavarësi të fillojë të shkruhet si pavarsi, Evropë si Europë dhe format e së ardhmes të eliminojnë pjesëzën të: do vij dhe jo më do të vij), sido që të kryhet dhe sado që të shtrihet, nuk ka fare të bëjë me qëndrimin publik ndaj teksteve letrare të shkruara në variantet letrare alternative të gegërishtes (shkodranishte, kosovarishte, elbasanishte), ose, për atë punë, edhe të arbërishtes. Më anë tjetër, autorit në fjalë, që është shkrimtar vetë, i dhimbset me të drejtë jetërsimi i traditës madhore të letërsisë në gegërishte, nga brezat e tanishëm të lexuesve, të edukuar tërësisht me format rudimentare të standardit – ende të veshura në uniformën ushtarake që ia pat blatuar totalitarizmi. Prandaj zgjidhja nuk vjen duke rishikuar standardin si të tillë, por vetëm duke ripërkufizuar (remapping) sferat dhe ligjësitë e zbatimit të tij. Sa i përket letërsisë së traditës dhe asaj të sotme, që shkruhet në gegërishte, kjo kërkon studimin e gegërishtes letrare në shkollë, fillimisht në rrugë filologjike – jo vënien në qarkullim të abetareve dhe teksteve shkollore alternative. Shkruan Shllaku: Poqese standardi nuk përmirsohet e nuk e zgjanon bazën e vet që të spjegojë dhe të përfshijë letërsinë artistike dhe ligjërimin e përditshëm, ai do të katandiset në gjuhë administrative dhe kjo nuk i ban ndonji nder. Vetëm hapja e bazës dhe rritja e valencave gjuhësore unversale që banojnë me shumicë te gegnishtja e përjashtueme mund të na e kthejë letërsinë kombtare pa firo e pa paraventa. Këtu ka përsëri një kontradiktë: hapja e standardit në nivelin letrar nuk ka të bëjë me përmirësimin e standardit – këto janë dy gjëra të ndryshme, sikurse e shpjegova më sipër. Sot askush nuk e pengon Shllakun që të shkruajë dhe të botojë në gegërishte – siç e provon vetë artikulli i tanishëm. Përkundrazi, çfarë e pengon atë si shkrimtar, duke ia marrë frymën e prerë hovin komunikues, është se ndër shqiptarët sot nuk ka lexues të përgatitur për ta shijuar estetikisht dhe përtypur kulturorisht letërsinë e krijuar prej tij, përveç një pakice elitare ndoshta edhe të kufizuar gjeografikisht. Këta lexues duhet t’i përgatitë shkolla publike (dhe private), nëpërmjet një reforme themelore të programeve të gjuhës dhe të letërsisë, të cilave u duhet integruar një komponente e fortë filologjike, që të lejojë studimin e gegërishtes letrare në të gjitha aspektet e saj dhe analizën e teksteve klasike në atë variant letrar. Natyrisht, e njëjta reformë do të kërkonte edhe njësimin e vetë gegërishtes letrare të sotme, e cila ende shkruhet shkel e shko, duke u praktikuar më tepër si formë subversioni ndaj standardit, sesa si variant letrar alternativ. Përfundon autori: Instituti për Promovimin e Vlerave në Gjuhë Shqipe mendon se vertikaliteti zhvillimor i gjuhës nuk mund të arrihet tue ia ngushtue bazën ksaj të fundit. Gabimi i madh historik i politikave të standardit ishte përjashtimi i gegnishtes dhe vendosja prej tij i nji regjimi okult monopoli. Prandej na si Institut kërkojmë që së pari të zmontohet prej praktikave të standardit çdo instinkt i tij monopolist që ka prejardhje dhe stampë të dukshme totalitariste. [...] Instituti shef që në të ardhmen e afërt të punojë për rehabilitimin moral dhe material të gegnishtes, të gjejë mnyra për ta normue dhe modernizue atê me studime mbi shndetin e saj mbas stinës së vështirë asfiksuese [...]. Këto janë fjalë me mend – por që nuk do të zbatohen dot, përveçse pasi të jetë përcaktuar, shkencërisht, se çfarë pikërisht, brenda standardit ekzistues, do të hapet dhe çfarë do të mbetet e mbyllur ndaj formave alternative; dhe sidomos, pasi të jetë siguruar, në nivel publik dhe privat, respektimi rigoroz i rregullave të standardit, duke përfshirë rregullat e mbylljes dhe rregullat e hapjes, madje edhe rregullat e të shkruarit të një gegërishteje që nuk e fyen ndjeshmërinë gjuhësore dhe kulturore të kujt e merr seriozisht ligjërimin shqip dhe gjuhën shqipe, si formë dhe shprehje të kulturës shqiptare dhe themel të kombit shqiptar.

STANDARDI: RISHIKIM DHE MIRËMBAJTJE November 17, 2010 by Xha Xhai Herë pas here dëgjon zëra, të të gjitha llojeve dhe nga shumë drejtime, të propozojnë se standardi i shqipes duhet ndryshuar. Arsyet që sillen për propozime të tilla janë të ndryshme; herë të mbështetura, herë emocionale, herë kompetente, herë të pabaza. Megjithatë, në vetvete, kërkesa për të rishikuar aspekte të ndryshme të standardit është legjitime, sa kohë që standardi ngrihet mbi një marrëveshje ose konvencion për të përdorur në publik një sistem të caktuar rregullash gjuhësore, për të siguruar komunikim optimal brenda bashkësisë adoptuese. Mes arsyeve që sillen në mbështetje të kërkesës për ndryshime të standardit, spikat pikëpamja se standardi në formën që ka sot nuk i përmbush dot nevojat gjuhësore të një pjese të madhe të shqiptarëve. Kjo pikëpamje lidhet edhe me argumentin se mangësitë, të metat dhe dobësitë në përdorimin aktual të standardit janë në vetvete dëshmi ose simptomë e diçkaje që nuk shkon me standardin vetë. Në të vërtetë, ligjërimi publik i shqipes, veçanërisht i shqipes së lëvruar në mediat e shkruara, sot lë për të dëshiruar. Përdoruesit shpesh nuk e zotërojnë standardin gjuhësor, as janë në gjendje të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ai ofron e jo më të ndihmojnë për pasurimin e tij. Ligjërimi në mediat e shkruara vjen shpesh i spërkatur me gabime drejtshkrimore, gramatikore dhe leksikore; pa folur pastaj për fjalët e huaja të panevojshme dhe mungesën e shkronjave ë dhe ç në disa tekste që hartohen shkeleshko në kompjuter. Por a kemi vallë të drejtë që gjendjen e sotme të përdorimit të standardit në mediat ta përdorim si argument për nevojën e ndryshimeve në standard? Unë besoj se këtë të drejtë nuk e kemi. Nëse përdoruesit e sotëm të ligjërimit publik nuk arrijnë ta përdorin shqipen e njësuar në pajtim me rregullat e miratuara, kjo nuk ka aq të bëjë me mangësitë strukturore dhe lëndore të standardit vetë, sesa me shkaqe dhe rrethana jashtëgjuhësore. Mes këtyre vlejnë të përmenden, para së gjithash, mungesa e një zotimi të qëndrueshëm institucional për ta mbrojtur standardin; mangësitë serioze në mësimin e shqipes së njësuar në shkollat; dhe rënien e prestigjit të standardit vetë në publik, për shkak të përshoqërimit që i bëhet me regjimin komunist, monizmin kulturor dhe politikat gjuhësore totalitare. Kjo do të thotë se, çfarë mungon sot, është para së gjithash vullneti për ta imponuar standardin në tekstet publike, vullnet i cili, në rrethana normale, do të manifestohej me pjesëmarrjen aktive të redaktorëve gjuhësorë ose të korrektorëve teknikë, në përgatitjen e teksteve për botim. Siç dihet, dhe siç e tregon përvoja e trajtimit të ligjërimit publik në anglishte, frëngjishte, gjermanishte, rusishte, italishte dhe në çdo gjuhë tjetër që mëton t’i japë formë një kulture qytetare të organizuar, janë pikërisht këta filtra, së bashku me vullnetin institucional në mbështetje të formave gjuhësore të rregullta që sigurojnë mirëmbajtjen e standardit në kohë dhe në hapësirë. Pa një mirëmbajtje të tillë sistematike, ligjërimi publik, veçanërisht ligjërimi i shkruar, vjen e rrëgjohet vetvetiu. Ndonjë ithtar teorish komploti, përballë realitetesh të tilla, mund të kuturisej e të mendonte se rrëgjimi i standardit për faj të mungesës së mirëmbajtjes është pjesërisht i qëllimshëm, meqë vetëm duke u rrëgjuar standardi ekzistues mund të bindet përfundimisht publiku për nevojën e zëvendësimit të tij me një standard tjetër. Natyrisht, kjo hipotezë ose teori nuk ka ndonjë bazë. Në gjendjen e tanishme të dijes veç mund të pohohet se standardi i ligjërimit të shkruar publik është rrëgjuar për të njëjtat arsye siç janë rrëgjuar edhe institucionet e tjera publike: shkollat, institucionet kërkimoreshkencore, bibliotekat, teatrot, kinematë etj.; ose vepra dhe shërbime të ndryshme publike si parqet, hekurudhat, spitalet e më në fund mjedisi. Shkaku i këtyre shkatërrimeve pak a shumë të kontrolluara është një i vetëm: indiferenca nga ana e organizmave që duhej të kujdeseshin për mirëmbajtjen e institucioneve, objekteve dhe veprave, ose të ruanin kompleksitetin e sistemeve përkatëse.

Veçanërisht, entropinë e sotme në ligjërimin e shkruar publik mund ta krahasojmë me fatin e disa objekteve arkitektonike të qendrës së Tiranës, me të cilat kryeqyteti dikur krenohej, ndërsa sot janë lënë të shkërmoqen deri në shëmti. Pallati i Kulturës dhe Hotel Dajti të vijnë menjëherë në mendje, së bashku me rastin e fundit, të bujshëm, të “Piramidës”. Jashtë Tiranës, meriton vëmendje amortizimi i ish-vilës së Zogut në Durrës – por mund të silleshin edhe shumë shembuj të tjerë. Kur është fjala për ndërtesat publike, njeriu tundohet fort që t’u japë të drejtë teorive të komplotit – meqë ndërtesa publike e rrëgjuar sot është projekti privat shumëmilionësh nesër; dhe qarqe të caktuara fare mirë mund të “komplotojnë” për të hedhur në dorë troje në qendër të kryeqytetit. Megjithatë, edhe vetëm indiferenca e autoriteteve ndaj nevojës së këtyre ndërtesave qendrore për mirëmbajtje sistematike mjafton për të shpjeguar gjendjen e tyre sot dhe për të parë një logjikë perverse në veprim, e cila lejon të lihen pas dore, me ose pa vetëdije, pasuri dhe hapësira dhe institucione publike në emër qëllimesh private gjithfarësh. A vepron një logjikë e tillë edhe me politikën e shpërfilljes, e cila po ndiqet kundrejt zbatimit të standardit gjuhësor të shqipes në ligjërimin e shkruar publik? Pas gjithë gjasave jo; meqë standardin gjuhësor ekzistues nuk mund ta zëvendësosh me një standard gjuhësor privat, as mund të nxjerrësh fitime materiale nëpërmjet kapjes mafioze ose paramafioze të ligjërimit publik shqip, të folur dhe të shkruar. Mirëpo, në kushtet e indiferencës institucionale flagrante ndaj pasurive dhe hapësirave publike, është vështirë që amortizimin dhe rrëgjimin e standardit ekzistues të mos e lidhësh, sado tërthorazi, me synimet dhe instinktet kulturore të kujt shqipen e sotme të njësuar nuk e sheh si institucionin e vet, as si institucionin e përbashkët të shqiptarëve, por si xham për t’u thyer, truall për t’u zaptuar, mur për t’u shembur, ose pemë për t’u prerë në park. Me fjalë të tjera, shqipja e njësuar ose standardi gjuhësor i sanksionuar në Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1972 dhe tashmë me një traditë të vetën të pavarur nga variantet letrare që i paraprijnë, mund dhe ndoshta duhet të rishikohet, për ta përmirësuar funksionimin e standardit në të gjitha nivelet dhe regjistrat. Gjithsesi, pamja e sotme e mjerueshme e aktualizimit publik të standardit nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si argument në mbështetje të këtij rishikimi, por vetëm e vetëm si laborator për të analizuar shmangiet nga norma dhe identifikuar pikat e dobëta të standardit, ose ato struktura që janë tronditur më shpejt e më thellë prej trysnive qendërikëse. Zbatimi në praktikë i standardit, veçanërisht në ligjërimin e shkruar publik, lyp zotim të vazhdueshëm nga ana e institucioneve që kanë në ngarkim mirëmbajtjen e ligjërimit shqip – ose mbikëqyrjen teknike të teksteve që i jepen publikut. Edhe përdorimi publik i gegërishtes së shkruar, që ndeshet herë pas here në mediat ose në letërsinë artistike, nuk vjen si pasojë e shpërfilljes së rregullave të shqipes standard, por është rezultat i një politike gjuhësore më liberale ndaj formave alternative ndaj standardit; çka don të thotë edhe se liria gjuhësore, brenda ligjërimit publik, do kuptuar si liri për të zgjedhur mes varianteve letrare të konsoliduara, jo si autorizim për të përdorur në publik, me gojë dhe me shkrim, të folmen e katundit tënd. Cilido qoftë standardi gjuhësor, sot dhe nesër, me ndryshime ose pa ndryshime, ai do të kërkojë miratimin dhe mbështetjen aktive të përdoruesve për të funksionuar si duhet, së bashku me angazhimin e institucioneve që merren me mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e ligjërimit publik. Prandaj edhe zbatimi sistematik i standardit në ligjërimin e shkruar publik dhe nevoja për rishikim të standardit ekzistues të shqipes janë dy çështje të ndryshme. E vetmja lidhje mes tyre, po ta kërkonim, do të kishte të bënte me atë që nisma komplekse për rishikimin e standardit do të mund të ndërmerret me sukses vetëm nga institucione të cilat e shohin ligjërimin e shkruar të shqipes para së gjithash si pasuri publike, të rrënjosur në traditën tonë kulturore të përbashkët mbarëshqiptare dhe të vyer për të gjithë përdoruesit. [botuar në Shekulli, dt. 15.11.2010]

DINJITETI I ARGUMENTIT October 23, 2010 by Xha Xhai Në shkrimin e titulluar “Gjuha, identiteti dhe dinjiteti” botuar në Shekulli më dt. 20 tetor 2010, Albri Brahusha flet për nevojën e standardizimit të gegërishtes, një kërkesë legjitime dhe e bërë në kohën e duhur. Gegërishtja temë e shkrimit vihet përballë dy sistemeve: toskërishtes dhe standardit, të cilat kanë dallime mes tyre, me gjithë lidhjet gjenetike të padiskutueshme. Ky dyzim i përballjes, ia vështirëson punën dhe argumentin autorit. Gjithashtu nuk kuptohet mirë, nga artikulli, nëse autori kërkon të standardizojë gegërishten, apo bën thirrje për të rishikuar e reformuar standardin e shqipes e për të futur aty elemente të gegërishtes. Ky pështjellim në shtrimin e çështjes cenon edhe vetë përfundimin disi të përgjithshëm dhe retorik të artikullit se “Gjuha asht pjesë e identitetit dhe identiteti asht pjesë e dinjitetit. Uniteti asht ma i fortë kur të tana pjesët që e përbajnë kanë identitet dhe dinjitet.” Edhe dëshira e autorit për të parë një ditë në Shqipëri një situatë të normës gjuhësore të ngjashme me atë të Norvegjisë së sotme, tingëllon problematike, sa kohë dihet sa e padëshirueshme është situata e krijuar me normën gjuhësore të dyzuar në Norvegji, ku aq më tepër që njëri nga variantet e standardit i përgjigjet gjuhës së pushtuesit danez. Vallë është për t’ia uruar edhe shqipes një situatë të tillë, e cila i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë shumë energji komunikimit publik në atë vend skandinav? Më anën tjetër, Brahusha mbron kërkesa të drejta me argumente logjikisht të dyshimta. Nevojën e mirëkuptueshme për standardizim të gegërishtes së shkruar, ai e mbështet me një krahasim informal të dy kryedialekteve të shqipes, duke vënë në dukje “epërsitë” e gegërishtes, si paskajoren e tipit me punue e duke përmendur disa karakteristika fonetike të toskërishtes që ai i gjen të papërshtatshme. Shkruan Brahusha: - Tosknishtja vuen prej rotacizmit siç edhe shumë gjuhë të tjera, rotacizmi asht shkronja “r” që gegnishtja shpesh e ka “n”, “mundur-mundun, rëra-rana, bëra-bana” e me radhë. “r” duke kenë nji bashkëtingëllore ajrore zakonisht ka tendencë me u “hangër” kur shqiptohet […], ajo në shumë raste bjen dhe nëse nuk zëvendësohet me “n” kjo shkatërron fjalën, asht si me thanë nji virus që sëmur fjalët ku ndodhet duke i mbytë ato; Vëreni zgjedhjen e fjalëve dhe pathosin e ligjëratës autoriale: toskërishtja vuen prej rotacizmit; thuase ky proces fonetik i rëndomtë qenka ndonjë sëmundje gjuhësore ose sakatllëk. Rotacizmi mund t’i tingëllojë i çuditshëm një folësi të gegërishtes, por kjo nuk e bën, në vetvete, patologjik, as e bën gjë rotacizmin një virus që sëmur fjalët ku ndodhet “duke i mbytë ato”, përveçse në fantazitë gegocentrike të autorit. Pohime të tilla që tingëllojnë të improvizuara, impresioniste e të nivelit të kafenesë, flasin më shumë për metodën e mangët të autorit, sesa denoncojnë ndonjë shqetësim real të dialekteve dhe të standardit vetë. Shkruan më tej Brahusha, duke iu referuar standardit të shqipes: [Standardi] përjashtoi nga fjalori i shqipes fjalë të vjetra dhe shqipe të pazëvendësueshme që gegnishtja i përdor ende, duke varfnue vogabularin ndjeshëm. Kjo e përjashtimit leksikor vjen, për fat të keq, si një tjetër klishe ose canard, tashmë e dalë krejt boje, në lidhje me prejardhjen dialektore të leksikut të shqipes standard; që e dëgjon të përcillet nga një ligjëratë në tjetrën, por që kurrë s’është mbështetur nga ndonjë studim serioz, i çliruar nga patetika dhe pasionet krahinore. Natyrisht, duke parë sa keq po shkruhet sot gegërishtja nga përkrahësit e saj, çdo kërkesë për standardizimin e saj është për t’u përshëndetur, dhe këtu s’bën përjashtim as thirrja e Brahushës.

Por gegërishtja meriton të standardizohet sa kohë që shkruhet dhe praktikohet në nivelin publik, jo për shkak të ndonjë epërsie të saj reale ose imagjinare ndaj toskërishtes ose standardit gjuhësor të vitit 1972. Përkundrazi, standardi tashmë ka fituar epërsi të mëdha funksionale ndaj të dy varianteve letrare, thjesht për shkak se po përdoret, me shkrim dhe me gojë dhe prej disa dekadash, në të gjitha nivelet dhe regjistrat; dhe me të kanë shkruar e po shkruhen me mijëra vepra, origjinale e të përkthyera, letrare dhe joletrare, anembanë gjeografisë shqiptare. Për ta thënë ndryshe: problemet që kanë standardi i shqipes sot nuk mund të reduktohen, as duhet të reduktohen, në marrëdhëniet e tij me gegërishten e shkruar dhe gegërishten dialektore, as me mangësitë e tij në raport me gegërishten e shkruar dhe gegërishten dialektore; por kanë të bëjnë më shumë me disa dobësi strukturore të standardit vetë (p.sh. shtangësia e tepruar ndaj dysorëve), si dhe me statusin dhe prestigjin e një sistemi normativ ose shtrëngues perceptohet, nga shumë anë e fillesa social-kulturore, si trashëgim i periudhës dhe metodës totalitare; si dhe me ekspozimin e shqipes publike ndaj fjalëve të huaja, praktikimin në masë të pashembullt të shqipes bisedore e me alfabet të cunguar në Internet dhe tatëpjetën e mësimdhënies së shqipes në arsimin e detyruar, në Shqipëri e sidomos jashtë Shqipërie. Prandaj argumentet që sjell autori jo vetëm që nuk kanë vlerë shkencore, por edhe tradhtojnë një këndvështrim provincial ose të ngushtë krahinor, të një çështjeje që prek, në mënyra të ndryshme, krejt arealin ku flitet shqipja. Duke ndërmarrë krahasimin mes dialekteve të shqipes dhe formave të tyre letrare, Brahusha jo vetëm nuk e fsheh prejardhjen e vet gege, por duket sikur refuzon të kuptojë se disa përshtypje dhe reaksione të tij ndaj standardit lidhen, drejtpërdrejt, me origjinën e tij krahinore. Është pikërisht ky lloj qëndrimi që e minon, do të thoja në mënyrë të pariparueshme, themelin e kërkesës për standardizim të gegërishtes së shkruar. Autori sjell edhe argumente të tjera të pasakta në shkrimin e vet: ai e lidh ndarjen e shqipes në dy kryedialekte me ndarjen midis Ilirisë dhe Epirit në lashtësi; e lidh nevojën për njësim të gjuhës me nevojën e shteteve për sisteme administrative, duke shpërfillur krejt rolin e tregjeve të njësuara ndërrajonale dhe të rritjes ekonomike; ia atribuon shkronjat latine të alfabetit të shqipes përpjekjeve të Mjedës dhe të Fishtës në Kongresin e Manastirit, edhe pse natyrë mirëfilli latine kishte edhe alfabeti i Stambollit, etj. Të gjitha këto argumente kanë nevojë vetë për t’u argumentuar; prandaj sjellja e tyre si premisa e fundos edhe më tezën kryesore të shkrimit. Nëse nevoja për standardizim të gegërishtes do të vijojë të mbështetet në këtë mënyrë, që do të quaja amatoreske dhe provinciale, atëherë perspektiva që një ditë do të shohim të përdorur, në tekstet letrare dhe në publicistikë, një gegërishte të shkruar të nivelit dinjitoz që kërkon me të drejtë autori, do të rrezikojë të mbetet perspektivë e largët, e mjegulluar dhe praktikisht e paarritshme. Shekulli, 23 tetor 2010 GJUHËT E SHQIPEVE September 15, 2010 by Xha Xhai Pardje më mbërriti një mesazh nga një agjenci përkthimi: një gjykatë në Oregon kërkonte një përkthyes të shqipes… nga Deçani. Me sa kuptova, këta kishin atje një dëshmitar ose të pandehur ose nuk di çfarë nga ky qytet dhe kur ishin përpjekur të komunikonin me të, ai u kishte thënë se duhej t’i gjenin një përkthyes të shqipes – dhe jo përkthyes dosido, por pikërisht nga Deçani. Nuk mora vesh nëse kishte specifikuar edhe mëhallën apo jo. Po mirë xhanëm, po sikur ky përkthyes të ishte me origjinë jo nga Deçani, por nga Peja ose Juniku? Jo, nuk pranohej.

Po sikur të paraqitej për ta ekzekutuar përkthimin vetë Migjen Kelmendi? As ashtu jo. Nuk e kam të qartë nëse ky specifikim etnografik për përkthyesin buronte nga ndonjë kokëfortësi e personit në fjalë, apo lidhej me politikat e “diversitetit” që zbatojnë institucionet publike në ShBA. E kam të qartë, përkundrazi, që disa kompani përkthimi kërkojnë përkthyes për “Kosovar Albanian”, edhe pse deri më sot një gjuhë e tillë nuk ekziston, as studiohet gjëkundi, as shkruhen me të libra, as fliten kanale televizive. Ka dialekte të shqipes, të nyjëtuara më tej në të folme e deri në idiolekte. Ka diferenca gjuhësore midis krahinave; ka edhe gegërishte të shkruar nga shkrimtarë kosovarë në të kaluarën dhe sporadikisht nga ndonjë i sotëm. Kjo gegërishte dikur edhe u kodifikua në Prishtinë me rregullat e veta të drejtshkrimit, para se të merrej vendimi tjetër, për përdorimin e shqipes së njësuar të Tiranës. Ka edhe kosovarishte të përdorur në Internet, e cila ka të njëjtin status me tironçen që praktikohet në ndonjë forum cool, ose shkodranishten që shkruajnë ndonjëherë katolikët, kur duan të vërtetojnë se myslimanët shqiptarë e kanë prejardhjen nga Anadolli. Gjuha vërtet kocka s’ka e kocka thyen, por ndërkohë qentë e agjencive të përkthimit lehin dhe karvani nuk shkon përpara. Një agjenci e tillë, përsëri këto ditë, më dërgoi një material të një kompanie amerikane të përkthyer në shqip dhe të radhitur si broshurë disa-gjuhëshe të ilustruar, gati për botim në mijëra kopje; donin të merrnin një miratim përfundimtar për seksionin shqip. E cila lexohej pak a shumë si në vijim:

Kur i lexova këto radhë, më shkoi menjëherë mendja te Musa Ahmeti dhe Etleva Lala – sepse dokumente të tilla të shqipes, deri më sot, vetëm në arkivat e Vatikanit (ato sekretet) kanë mundur të ruhen e të mbijetojnë. Natyrisht, nuk dua të insinuoj se kështu e shkruajnë shqipen në Deçan; por vetëm të ilustroj një dukuri të cilën ende nuk po e rrok dot në tërësi. Si mund të shkruhet shqipja kështu? Në cilat shkolla mësohet ky farë versioni i letrarishtes? Pyetje të destinuara të mbeten pa përgjigje. Ndonjë i shkathët mund të sugjeronte se dokumenti nuk është i përkthyer, por “i lokalizuar”; në kuptimin që shqipja e përdorur atje u përshtatet punëtorëve shqiptarë të kompanisë që ka përgatitur broshurën; dhe se burokratët e atjeshëm u kanë kërkuar përkthyesve të jenë sa më “komunikues”. Këtë argument e rrëzon jo aq natyra dialektore e tekstit, sesa përpjekjet patetike të përkthyesit për ta letrarizuar shqipen e vet – çka tregon se ky të paktën shkollën fillore e ka mbaruar (edhe pse mezi).

Një shpjegim tjetër, praktik, do të ishte se përkthyesi, ose më mirë “përkthyesi”, aq ka ditur dhe aq ka bërë; me bindjen se, për të përkthyer, mjafton të dish nga pak të dy gjuhët – të folmen e katundit nga vjen dhe të folmen e katundit ku ke shkuar. Ashtu, pa e kuptuar as vetë, ka arritur të nxjerrë nga pena tekste si ky më poshtë:

Alarmantët do të pyesnin: çfarë po ndodh me shqipen? Më pak alarmantët do të pyesnin: çfarë po ndodh me shqiptarët? Le ta vëmë veten për një çast në vendin e kujt e shkruan gjuhën e vet si më poshtë (këtë shembull të fundit po e sjell për dashamirësit e filologjisë dhe të shqipologjisë së krahasuar):

Ky shqipshkrues jo vetëm e shkruan keq gjuhën e vet, por edhe nuk e kupton se po e shkruan keq – dhe kjo e dyta, sado hipotetike qoftë, shqetëson më shumë se e para. Pas Buzukut, Naim Frashërit, Kristoforidhit, shkollave të para shqipe, dëshmorëve të helmuar nga Patrikana, librave të fshehur e librave të djegur e të shpuar me plumb tej e tej, Normales së Elbasanit, shoqërisë Bashkimi, Gjergj Fishtës, Cucës së Maleve e kështu me radhë deri te Ismail Kadareja, një katastrofë si kjo nuk paska qenë shmangur dot. Ky person është jo vetëm i paditur dhe gjysmanalfabet, por edhe nuk e percepton dot që është i tillë. I mungon jo vetëm drita e qiririt, por edhe shqisa e të parit. Duke gjykuar nga përvoja e shekullit XX, kam frikë ndonjëherë se këta trogloditë do të na e mësojnë një ditë shqipen ne të tjerëve, që kemi dashur të kujdesemi për të. E ardhmja politike dhe kulturore do të vendoset ashtu e tëra në dialektologji. PSE JO PASKAJORJA GEGE January 9, 2008 by Xha Xhai Flitet shumë për paskajoren e gegërishtes dhe për dëmin që i qenka shkaktuar standardit duke e lënë jashtë sistemit foljor të shqipes normative, por shumë nga ata që flasin, për fat të keq, nuk e kanë shumë idenë se për çfarë po protestojnë. Këtu më poshtë do të bëj një përshkrim të shkurtër të paskajores gegërishte dhe të funksioneve të saj, në përqasje me format e ngjashme të standardit; si dhe do të sjell disa arsye thjesht gjuhësore se pse kjo paskajore nuk mund të përfshihej në sistemin foljor të shqipes zyrtare.

Funksionet gramatikore të paskajores gegërishte Paskajorja e gegërishtes e tipit me punue konsiston në një pjesëz me e cila historikisht është e njëjtë me parafjalën me; e që i bashkëngjitet pjesores së shkurtër të gegërishtes (gegërishtja ka edhe një pjesore të gjatë, e cila ndeshet, për shembull, në mbiemrat prejpjesorë: khs.: dru i punuem). Nuk dua të ndalem këtu në historinë e kësaj forme gramatikore; as dua të diskutoj nëse ajo trashëgon konceptualisht paskajoren e foljes indoeuropiane, apo përfaqëson një formim dytësor në gegërishte, pas një periudhe kur edhe ky dialekt madhor i shqipes, njëlloj si dialekti tjetër, e kish humbur paskajoren origjinale indoeuropiane; për të vetmen arsye se konsideratat historike nuk ngrenë peshë në diskutimin e funksioneve të formave dhe kategorive gramatikore. Ndryshe nga gegërishtja, toskërishtja nuk e ka një paskajore të tillë; edhe pse në toskërishte dhe në standard përdoret një paskajore tjetër, e tipit për të punuar. Kjo e dyta i ka funksionet më të reduktuara se paskajorja gegërishte e tipit me punue. Ç’përfaqëson paskajorja në gjuhët indo-europiane? Kryesisht, kjo formë foljore shenjon foljen në formë të kulluar, pa e bashkëlidhur me kategoritë gramatikore të vetës, numrit, kohës e mënyrës. Në nivel konceptual, paskajorja është më abstrakte dhe e pavarur sesa format e shtjelluara të foljes (punoj, punon, punoni, etj.). Ç’funksione përmbush paskajorja në gegërishte? Po rendit më poshtë disa nga funksionet kryesore të kësaj forme, sipas Albanische Grammatik të Buchholz dhe Fiedler: 1. Në ndërtime pyetëse: ma mirë me krye punën apo me fjetë? 2. Si pjesë predikatesh foljore (zakonisht në ndërtime kundrinore): lypi me hangër due me i harrue të gjitha më nep me pi filloi me u interesue 3. Në ndërtime kryefjalore: asnjanit nuk ia mbante me ia nisë kangës i pari asht kot me folë me të 4. Rrethanorë kohe të paraprirë nga para se: Matu mirë para se me folë 5. Në ndërtime kushtore: Ban me ngri deti, n’çorape leshi e fill n’Itali Me e pa, kishit me u habitë 6. Në ndërtime lejore: Sado vonë me ra, ai ngrihet gjithnjë herët. 7. Në ndërtime rrjedhore: Shprazi sa mujti ujë rreth e rreth, aq sa m’u ba nji liqé 8. Në ndërtime qëllimore: Sytë janë me pa. 9. Në ndërtime krahasore: Nuk asht aq e prapë sa mos me i zanë besë 10. Në ndërtime përcaktore: Nuk e ka fort zakon me u sjellë zyrave. Asht koha me u ngritë në kambë 11. Në ndërtimin e së ardhmes e të disa formave me folje modale: kam me punue nuk mundem me ardhë duhet me ia ba Bepinit nji dhuratë për Krishtlindjet atij s’asht me i fol me gojë

Si i shpreh këto funksione folja në toskërishte dhe në standard? Paskajorja e tipit për të punuar përdoret kryesisht në funksionet e mëposhtme: 1. Në ndërtime përcaktore: Aftësia për t’u përshtatur (khs. aftësia me u përshtatë) Të gjithë kemi nevojë për t’u edukuar (khs. kemi nevojë me u edukue) Dëshira për t’u kthyer në vendlindje (khs. dëshira me u kthye) Është herët për ta lënë punën (khs. asht herët me e lanë punën) I zoti për të qeverisur (khs. i zoti me qeverisë) Kjo është për të qeshur e për të qarë (khs. asht me qeshë e me qa) 2. Në ndërtime qëllimore: U munduan për të hapur derën (u munduen me hapë derën) U ngjesha pas pemës, për t’u mbajtur (khs. u ngjesha pas pemës, (për) me u mbajtë) Kam ardhur për t’u regjistruar (khs. kam ardhë me u regjistrue) 3. Në ndërtime kryefjalore: I mbetej për të rregulluar çatinë (khs. i mbetej me rregullue çatinë) Më vjen për të qarë (khs. më vjen me qa) 4. Në disa ndërtime të së ardhmes: Nuk kemi për ta pranuar fajin (khs. nuk kena me e pranue fajin) Në raste të tjera, atje ku gegërishtja ka paskajoren, toskërishtja përdor mënyrën lidhore: Kërkoi të hante (khs. lypi me hangër) Filloi të interesohej (khs. filloi me u interesue) Askujt nuk ia mbante t’ia niste këngës i pari (khs. asnjanit nuk ia mbante me ia nisë…) Matu mirë para se të flasësh (khs. matu mirë para se me folë) Po të ngrijë deti… (khs. ban me ngri deti) Sado vonë të bjerë, ai ngrihet herët (khs. sado vonë me ra…) Nuk mund të vij (khs. nuk mundem me ardhë) Nuk duhet t’i biem në sy Saimirit (khs. nuk duhet me i ra në sy Saimirit) Në të gjitha këto shembuj, niveli i abstraksionit nuk preket; vetëm se ndërtimet toskërishte janë zakonisht ridondante (me përjashtim të atyre me folje modale), sepse i shprehin kategoritë gramatikore dy herë: Te lypi me hangër, kategoritë e vetës së tretë, njëjësit dhe të kryerës së thjeshtë i shpreh vetëm folja lypi; ndërsa te kërkoi të hante këto kategori rimerren edhe nga lidhorja të hante. Më problematike janë ato raste kur paskajorja gege i referohet foljes si kategori abstrakte, sikurse edhe gjuhë të tjera indoeuropiane: Ma mirë me krye punën apo me fjetë? Asht kot me folë me të. Toskërishtja këto funksione ia beson vetës së dytë njëjës të lidhores: Më mirë të kryesh punë apo të flesh? Është e kotë të flasësh me të. Kjo vetë e dytë e lidhores i ka humbur lidhjet kuptimore me vetën e dytë, dhe është funksionalisht e barazvlershme me paskajoren gege. Përdorimi abstrakt i vetës së dytë nuk është ndonjë akrobaci e standardit ose e toskërishtes, pse ndeshet rëndom edhe në gjuhë të tjera. Kur anglishtja thotë: you can’t have your cake and eat it too, nuk i referohet ndonjë personi konkret si të adresuar të thënies. Me fjalë të tjera, edhe pse nuk e ka paskajoren e gegërishtes, toskërishtja dhe standardi i mbështetur mbi toskërishten nuk kanë asnjë vështirësi për t’i shprehur, me mënyrat e tyre, funksionet e paskajores së gegërishtes. Natyrisht, dikush që i qaset standardit nëpërmjet gegërishtes, do ta ketë fillimisht të vështirë të mësohet me këto mënyra shprehëse, por kjo është çështje tjetër. Pse nuk mund të integrohet paskajorja gegërishte në standard? Njerëzit gjithnjë pyesin: edhe pse toskërishtja mund t’i shprehë funksionet e paskajores gegërishte, a nuk do të ishte më mirë që kjo formë të ishte integruar në standard?

Për kodifikuesit e gjuhës kjo pyetje formulohet kështu: a mund të integrohet paskajorja gege në sistemin gramatikor të toskërishtes? Për fat të keq, integrimi i kësaj forme gramatikore has në disa vështirësi të pakapërcyeshme, të cilat kanë të bëjnë me morfologjinë e pjesores gegërishte. Një nga dallimet themelore të toskërishtes me gegërishten, në rrafshin fonetik, është dallimi ua/ue. Atje ku toskërishtja ka ua, gegërishtja ka ue. Ky dallim është gjithëpërfshirës, në rrënjë të fjalëve dhe në mbaresa; madje edhe në mjete fjalëformuese si prapashtesat. Grupi ua/ue shfaqet edhe në mbaresat e foljeve. Pjesorja e foljes punoj në toskërishte është punuar, por në gegërishte punue(m). Po ashtu, formave toskërishte punuam, punuat, punuan u përgjigjen format gegërishte punuem, punuet, punuen. Dallimi në pjesoret prek një numër të madh formash foljore të ashtuquajtura analitike: atje ku toskërishtja thotë: kam punuar, jam punuar, kisha punuar, duke punuar, pa punuar etj., gegërishtja thotë: kam punue, jam punue, kisha punue, tue punue, pa punue etj. Gjithashtu, pjesorja shërben si temë e mbiemrave prejpjesorë, të cilët përdoren jashtëzakonisht dendur në shqipen e të gjitha niveleve: ujë i gazuar/i gazuem; bjeshkët e nëmura/e namuna; gur i latuar/i latuem; burrë i martuar/i martuem, etj. Standardi, kur ka qenë fjala për të zgjedhur midis ua dhe ue, ka preferuar si rregull formën toske, edhe pse ka marrë prej gegërishtes format e tipit sulmues, lexues dhe i lexueshëm, i lavdërueshëm. Me të drejtë mund të pyetet se, në qoftë se janë marrë prej gegërishtes forma si sulmues dhe i lexueshëm, atëherë pse të mos merrej edhe paskajorja me punue? Vallë vetëm për arsye politike? Jo. Paskajorja gege nuk integrohet dot në sistemin morfo-fonetik të foljes toskërishte. Ka më se 100 vjet që shkrimtarë vullnetmirë përpiqen të përdorin ndërtime me paskajoren gegërishte brenda tekstesh të shkruara në standard, por pa sukses (sikurse ka pasur të tjerë që kanë eksperimentuar, përsëri pa sukses, me kimera të tipit me punuar). Vështirësia këtu ka të bëjë kryesisht me formën që do të ketë pjesorja e foljes në variantin standard. Sistemi foljor nuk mund të pranojë që pjesoret e foljeve të dalin në dy trajta fonetike të ndryshme: edhe punuar, edhe (me) punue. Ky do të ishte një dallim që nuk do t’i përgjigjej ndonjë nevoje funksionale, por vetëm do të shërbente si burim paqëndrueshmërie në sistem. Nëse do të futej në standard paskajorja e gegërishtes, atëherë atje duhej përfshirë krejt sistemi foljor i gegërishtes; çka ishte e mundshme, por e pagjasë, në rrethanat kur u kristalizua shqipja zyrtare – meqë pas Luftës II Botërore, toskërishtja ishte politikisht e shenjuar për t’u vendosur në bazë të standardit. Ka edhe më: sistemi foljor i gegërishtes trupëzon shumë nga ato karakteristika fonetike dhe gramatikore të cilat e dallojnë gegërishten nga toskërishtja, duke përfshirë rotacizmin, grupin ue/ua, dhe mbaresat e ndryshme të pjesoreve (ndarë/nda(më), kthyer/kthye(m), i ikur/i (h)ikun, etj.) Kjo do të thotë që, po të adoptohej sistemi foljor i gegërishtes, atëherë edhe fonetika e shqipes së njësuar duhej të ndiqte modelin gegërishte. Prandaj paskajorja e gegërishtes nuk mund të shartohej në standard pa e përmbysur këtë të fundit; meqë ajo paskajore shpreh thelbin fonetik dhe gramatikor të dialektit geg dhe të variantit letrar përkatës. Natyrisht, edhe gegërishtja letrare mund të kish shërbyer fare mirë si bazë e shqipes së njësuar, meqë i kishte të gjitha kartat në rregull, nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore. Çka s’mund e nuk duhej të ndodhte, ishte përzierja politikisht korrekte dhe oportuniste e të dy dialekteve, nëpërmjet bashkëjetesës së formave paralele në sistem. Xha Xhai Paskajorja gege në histori: Pyetje & Përgjigje 1. A është e vjetër paskajorja gege? Relativisht e vjetër, meqë dokumentohet në të gjithë autorët e vjetër gegë. Megjithatë, si çdo

formë tjetër analitike (ose e krijuar nga dy ose më shumë fjalë të pavarura) nuk mund të jetë shumë e vjetër. 2. A ka pasur shqipja ndonjëherë paskajore sintetike, si gjuhë të tjera IE? Kjo nuk dihet; edhe pse është teorikisht e mundshme që paskajorja analitike të ketë zëvendësuar një paskajore të mëparshme, sintetike. Por në shqipe nuk ka gjurmë të ndonjë paskajoreje sintetike (njëfjalëshe), si ajo e latinishtes, gjuhëve gjermanike dhe gjuhëve sllave. 3. A ka gjurmë të paskajorjes të tipit me punue në dialektet e tjera të shqipes? Po ka, por shumë sporadike. Forma do me thënë e toskërishtes përmendet shpesh, por kjo mund të jetë një huazim kontakti nga gegërishtja. Shkrimtarë jugorë pararilindës kanë gjurmë të paskajores gege (p.sh. Nezimi), por këto pas gjase lidhen me ndikime të gegërishtes. Përndryshe, paskajoret në shkrime toskërishte të rilindësve u detyrohen të gjitha përpjekjeve të këtyre për t’i afruar dialektet e shqipes, duke përzier format. 4. A ka gjurmë të paskajores të tipit me punue në arbërishten e Italisë? Ka, por përsëri shumë të rralla. Këto gjurmë mund të shpjegohen ose ndikimin e shkrimtarëve të vjetër katolikë (të cilët njiheshin edhe ndër arbëreshët), ose me praninë e gegëve ndër arbëreshë. 5. Po toskërishtja ka pasur ndonjëherë paskajore analitike të vetën? Kjo nuk dihet. Disa autorë mendojnë se edhe toskërishtja duhet të ketë pasur paskajore, por pastaj e ka humbur, si pasojë e ndikimit ose edhe e substratit grek. Kjo tezë nuk është e mbështetur në të dhëna gjuhësore. Ka edhe një hipotezë tjetër, sipas së cilës një nga gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit (ilirishtja ose trakishtja) nuk kanë pasur paskajore, dhe ky tipar është trashëguar pastaj nga disa gjuhë në Ballkan. Një gjë është e sigurt: prirja në shumë gjuhë ballkanike për të përdorur lidhoren atje ku pritej të përdorej një paskajore. Këtë prirje e kanë edhe rumanishtja, edhe greqishtja, edhe shqipja; çka tregon se ajo duhet të ketë të bëjë me ekspozimin e këtyre tre gjuhëve ndaj një faktori të vetëm. Cili është ky faktor? Greqishtja, shqipja, parashqipja apo një gjuhë ballkanike tashmë e zhdukur? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i japësh dot përgjigje sot për sot. 6. Pjesëza me e paskajores a është e njëjtë me parafjalën me? Përgjithësisht mendohet se po. Kjo tezë gjen mbështetje të tërthortë në forma të tjera të pashtjelluara të shqipes, si pa punuar, me të punuar, të cilat gjithashtu ndërtohen duke kombinuar një parafjalë dhe një element prejpjesor. Madje edhe pjesëza duke, te përcjellorja duke punuar, është shpjeguar si parafjalë e vjetër. 7. A është pjesore forma punue në paskajoren me punue? Sot pjesa e dytë e paskajores gegërishte interpretohet si pjesore, meqë është formalisht identike me pjesoren gege. Megjithatë, pjesorja e shqipes ka kuptim të shkuar dhe pësor, ndërsa paskajorja nuk i ka këto kuptime. Prandaj historikisht pjesa e dytë e paskajores nuk mund të ketë qenë pjesore. Ky argument gjen mbështetje dhe në natyrën parafjalore të pjesëzës me, meqë një parafjalë nuk mund të kombinohet me pjesoren, por vetëm me një element emëror ose përemëror. 8. A mund të jetë pjesa e dytë e paskajores gegërishte një formë e mbijetuar e paskajores sintetike të shqipes? Jo nuk mund të jetë, sepse ajo përkon formalisht me pjesoren, prandaj duhet të rrjedhë nga një formë e ndërmjetme e përftuar mbi bazë pjesoren. Paskajorja nuk mund të formohet mbi pjesoren, për shkak të dallimeve të mëdha në kuptimin gramatikor. Pjesorja e shqipes, nga ana e vet, është shumë e vjetër, dhe formohet me prapashtesa që ndeshen edhe në gjuhë të tjera indo-europiane. 9. Çfarë mund të ketë qenë pikërisht pjesa e dytë e paskajores gegërishte? Shaban Demiraj mendon se pjesa e dytë, “foljore” e paskajores gegërishte është në thelb një emër prejpjesor; sikurse janë emra prejpjesorë edhe format foljore që ndeshen në përcjelloren dhe në format e tjera të pashtjelluara parafjalore. Në shqipen e sotme, emrat prejpjesorë formohen nëpërmjet paranyjëzimit: nga shkruar, kemi të shkruarit, nga ngrënë kemi të ngrënët. Megjithatë, paranyjëzimi është dukuri relativisht e re në gramatikën shqipe – gjithnjë

sipas Demirajt. Forma të pashtjelluara më të vonshme, si me të hyrë, e përmbajnë nyjen e paravendosur. 10. Në qoftë se pjesa e dytë e paskajores është emër prejpjesor, atëherë pse nuk lakohet? Sipas Demirajt, forma punue në paskajoren me punue është një kallëzore e pashquar, e cila nuk dallohet nga emërorja e pashquar. EFEKTI PASQYRË December 30, 2011 by Xha Xhai Mehmet Elezi, publicist i njohur, shkrimtar, leksikograf, gazetar dhe tani së voni diplomat, është një nga figurat më të spikatura në përpjekjet për vlerësimin dhe rehabilitimin e gegërishtes si pasuri kombëtare gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit. Libri i tij Gjuha shqipe në bunker dhe sidomos Fjalori i gjuhës shqipe, me rreth 40 mijë fjalë që mungojnë në Fjalorët e Shqipes të botuar në vitet 1980 nga Akademia e Shkencave, janë vetëm dy nga kontributet e tij më të njohura, për të rithemeluar marrëdhëniet e shqipes standard me gegërishten e folur dhe, deri në një farë mase, edhe me variantet letrare të gegërishtes (veriperëndimore dhe verilindore). Edhe në vetë ligjërimin e vet publik, Elezi shquhet për përpjekjet për të integruar, në indin e standardit, elemente kyçe të gegërishtes, duke nisur nga paskajorja e tipit me punue; çka e rreshton atë në krahun e atyre që kërkojnë hapje të mëtejshme të strukturave të standardit ndaj elementeve gegërishte. Është për t’u vënë re se, ndryshe nga shumë revizionistë të sotëm të standardit, të cilët nisen nga fillesa kulturore katolike në kulturën shqiptare dhe mbështeten në traditën e pasur të shkodranishtes letrare të kultivuar prej shkrimtarëve dhe publicistëve të arealit katolik, Elezi i përket një areali tjetër kulturor, duke pasur më shumë pika takimi, edhe objektivisht edhe subjektivisht, me gegërishten e Kosovës dhe traditat letrare të shqipes verilindore. Me sa thashë më lart, nuk dua të vizatoj një portret të plotë të Elezit si autor dhe si veprimtar në fushën e politikës gjuhësore, por vetëm të bëj një hyrje, krejt informale, në sa do të parashtroj më poshtë, për ta vendosur mendimin tim në kontekst. Kohët e fundit, Elezi ka botuar një libër me kujtime, të cilin e ka rimarrë pjesë-pjesë edhe Gazeta shqiptare. Më duhet të them se, me sa kam parë në shtyp, libri nuk është pritur mirë, për shkak të së kaluarës komuniste të autorit, i cili në vitet 1980 mbante poste të larta në nomenklaturën komuniste; pa çka se – është vendi për ta thënë – përpjekjet e Elezit dhe të së tjerëve zyrtarë të lartë të krahut liberal të nomenklaturës për ta revizionuar vijën politike të PPSh-së në Shqipërinë e fundit të viteve 1980 kanë qenë ndoshta po aq të rëndësishme sa edhe protestat e studentëve të dhjetorit, në kryerjen me sukses të tranzicionit nga monizmi në pluralizëm. Megjithatë, mua nuk më intereson ky aspekt i kujtimeve të Elezit, as kam ndërmend të merrem me të këtu (ju lutem edhe komentuesve ta lënë jashtë nëse munden, ose të shkojnë ta komentojnë te ResPublica, ku do të gjejnë hapësirat e duhura). Përkundrazi, më intereson mënyra si e ka vizatuar ai një figurë të njohur të politikës shqiptare të viteve 1980, prof. Sofokli Lazrin. “Sofokli Lazri na vidhte dietat kur dilnim jashtë”, titullohet fragmenti përkatës i kujtimeve të Elezit i botuar në Gazetën Shqiptare; titulli, pas gjase është i gazetës, jo i autorit. Duket, nga leximi i këtij fragmenti, se Elezi nuk ka shkuar mirë me Lazrin, ose së paku është poshtëruar prej tij, ose nuk ia ka duruar dot pushtetin, autoritetin, ose mënyrën si vepronte ai, në kulisat e shtetit totalitar, e veçanërisht në marrëdhëniet me shtypin. Një ditë, gjatë periudhës kur Elezi ishte përgjegjës për shtypin pranë KQ të PPSh (nëse e kam kuptuar mirë), sekretari i kolegjiumit të Zërit të Popullit, Sami Milloshi, i jep një intervistë “Zërit të Amerikës.” Elezi tregon se, të nesërmen pas intervistës, në zyrën e Milloshit kishte rënë zilja e telefonit:

- Jo, nuku kisha ndonjë gjë të veçantë, një pjetje desha të të bëja unë tia, more djalë, – foli zëri që vinte nga kati i tretë i ndërtesës së KQ të Partisë. – Një pjetje vetëm: ku ke qejf të punosh tia, në “Zëri i Popullit” apo në “Zëri i Amerikës”? Samiu ishte shtangur. Në telefon ishte Sofokli Lazri, këshilltar për gjithçka i Ramiz Alisë. - Por shoku Hekuran sapo më përgëzoi për këtë intervistë… Zëri i njohur matanë telefonit nuk dorëzohej. - Dëgjo djalë, po të pjes prapë tia, tia të intereson ç’thotë ki apo ai, apo të intereson ç’thotë Komiteti Qendr[o]r i Partisë? Sofoja nuk shqiptonte dot y- në… Qartazi, personazhi negativ Lazri portretizohet nëpërmjet të folmes së vet dialektore, e cila (qëllon) të jetë toskërishtja. Që të mos lerë asnjë dyshim për qëllimet e veta, Elezi kujdeset të sqarojë, në fund të kësaj skene, se “Sofoja nuk shqiptonte dot y-në”. Lexuesi mund të vrasë mendjen, për të gjetur se ç’lidhje mund të ketë midis të folmes dialektore të Lazrit dhe bëmave të tij negative, që i përshkruan pena e Elezit. Flakë për flakë, të shkon mendja te një afrim shijekeq mes defekteve në shqiptim të profesorit dhe Enver Hoxhës, që gjithashtu i kishte disa probleme me y-në; por gjithsesi vështirë ta besosh se Elezi, njeri i kulturuar dhe i ndjeshëm, të bjerë në nivele të tilla folklorike të karakterizimit. Ja si e përshkruan autori më poshtë momentin kur Lazri i shfaqet në zyrë: Se ç’po shkruaja në zyrë kur hapet dera ngadalë. Nuk u çudita kur pashë atë. Me kostumin e përhimët me vija të venitura, si të shlyera, me këmishën e bardhë të zbërthyer pak, si gjithnjë me kravatë. Vetëm ai futej kështu, prore pa trokitur. Të gjithë e thërrisnin “profesori”. Me Sofo a shoku Sofo e aq më pak Sofokli nuk i drejtohej kush… Qeshë i sigurt se vinte me më pyetë a kisha pirë kafe… Këtë radhë profesori s’kishte ardhur që ta ftoja për kafe. - More, – më tha, duke qëndruar as hyrë as del – kjo gazeta jote dhe e Foto Çamit, ku do të na shpjerë kështu, përse nuku jepni njoftimin për ardhjen e Misturës? Edhe këtu, Lazri portretizohet nëpërmjet dialektit të vet, si personazhi i ndonjë romani jo më realist, por natyralist. [Në një shkrim tepër kritik ndaj kujtimeve të Elezit për Lazrin, Alban Dega sqaron se e ka dëgjuar Elezin t’i drejtohet Lazrit disa herë si “Barba Sofo,” në mënyrën karakteristike të bregut.] Vazhdon Elezi: Profesori bëri edhe dy hapa përpara drejt meje, duke i dhënë një të shtyrë derës për ta mbyllur. Çoi kryet e më këqyri ngultas në kokërr të syrit… - Hëm, – tha duke buzëqeshur pa asnjë grimë gazi të vërtetë – Po Reiz Malile nuk e heq kush, se ai ka qenë në Brigadën e 7- të. Juve po, ju heqin. Për shembull, ke tia ndonjë mik na Gashi të të mbrojë tia? Nuku ke. Atëherë ti do të ikësh që këtej… Një minidramë vjen e përvijohet, në hapësirën mes kësaj ndeshjeje titanësh të nomenklaturës: është minidrama konfliktit veri-jug. Komenton Elezi: E dija se profesori s’kishte idenë e gjeografisë së Shqipërisë, përveç Tiranës, kryesisht pjesës rreth hotel Dajtit, ku e qerasnin ose shtrohej nëpër darka zyrtare, dhe Vunoit, fshatit ku kishte lindur. Kjo mosnjohje nuk tregonte vetëm sht[e]rpësi intelektuale e gjymtim kulturor… Dëshmonte, më së fundmi, primitivizëm të rrezikshëm politik: Sofokli Lazri vuante nga paragjykime të errëta krahinore… Dikush më kish kallëzuar se, kur do të emërohej Maxhun Peka ambasador në Francë, profesori kishte rrudhur buzët: djalë i mirë është, por… është na Hasi! Kjo ishte politikë e pashpallur e atij regjimi… Nuk dua të dyshoj që Lazri ka qenë vërtet krahinist i paragjykuar; por vallë a nuk përvijohet edhe Elezi vetë, në këto kujtime, si po aq krahinist si Lazri? Nëse “profesori” ka rezerva për të emëruar dikë në diplomaci, meqë qenka ‘na Hasi’, vallë nuk vepron njëlloj Elezi ynë, kur ia nxjerr në pah kaq theksueshëm vunjotshen e karikaturizuar personazhit të vet?

Më tej, në shkrim tregohet si Lazri u përvetësonte një pjesë të dietave atyre që udhëtonin me shërbim jashtë shtetit, dhe riprodhohet dialogu i mëposhtëm, midis profesorit dhe një qyqari të çfarëdoshëm që do të nisej për jashtë: - E sa do të rrini juve atje? - Siç e keni vendosur ju profesor, tre m… - A, po, tre muaj. Epo mirë, fifty- fifty, një muaj e gjisëm për vete, një muaj e gjisëm për mua. Të vërehet edhe këtu pranëvënia ose kontrapunkti i pashmangshëm, midis korrupsionit të supozuar të Lazrit dhe paaftësisë së tij për të shqiptuar y-në (aq perëndimore) të shqipes. Ja edhe një shembull tjetër, për ata që nuk janë bindur akoma: Te dera e zyrës kalonte si rastësisht profesori dhe lëshonte pyetjen shkatërruese: “More, po ki televizioni inë, i Tiranës është apo i Prishtinës, këtë nuk po e marr vesh unë!”… Dhe më tej, në një dialog të mëpasëm me autorin: - Po ja, për këtë intervistën të thirra unë tia, more djalë. Mund të më kundërshtojnë dhe të më thonë se portretizimi i Lazrit, në këto kujtime, bëhet nëpërmjet të folmes së tij gjysmë dialektore ndoshta për t’i dhënë kolorit, ose “nerv” rrëfimit, për ta bërë atë më realist, më të besueshëm, më konkret. Natyrisht, qëllimet autorit Elezi nuk mund t’i paragjykohen. Por përshtypja mbetet, e pakundërshtueshme, se toskërishtja jugore e Lazrit shënjon, në penën e Elezit, zhargonin e së ligës: intolerancës, intrigës, korrupsionit. Ia kam lexuar Elezit kujtimet e botuara në gazetë (por ende jo librin), dhe nuk më rezulton që personazhe të tjera të cilat përmenden atje të portretizohen edhe ato nëpërmjet dialektit ose të folmes. Qemal Sakajeva nuk flet në dialekt, as Ramiz Alia, as Sami Milloshi, as Sali Berisha. Ndoshta në pjesën tjetër të kujtimeve dalin edhe personazhe të tjera dialektore, veç Lazrit të lig nga Vunoi; nëse edhe ato janë nga Jugu, atëherë kemi një problem në duar. Teknika e Elezit më kujtoi, ç’është e vërteta, një stilemë dylekëshe të kinemasë së realizmit socialist, ku diversantët dhe kolaboracionistët dhe tradhtarët dhe kuislingët dhe monarkistët dhe spiunët e nazifashizmit dhe priftërinjtë katolikë dhe në përgjithësi të gjithë ata ndaj të cilëve publiku ftohej të mbante qëndrim duke i urryer ose përçmuar, viheshin të flisnin në gegërishte ose me paskajore, aq sa batutat e tyre, të piperosura siç ishin me dialekt, përfundonin në gojën e të gjithë shqiptarëve. Për një takëm kalemxhinjsh të asaj kohe, gegërishtja e sidomos shkodranishtja përdorej vërtet si të ishte zhargoni i armikut, ose shenja dalluese, për të dalluar kë nuk ishte “yni” (ose edhe “ini”). Për fat të keq, këtë bën sot edhe Mehmet Elezi, kur e vë prof. Lazrin të flasë në dialekt dhe të mos i përdorë y-të e shqipes; me një fjalë, kur e paraqit këtë jo vetëm si përfaqësues tipik të nomenklaturës komuniste të viteve 1980, por edhe si përfaqësues tipik të jugorit, labit dhe gjirokastritit gegofag, në krye të shtetit komunist. Që ka pasur të tillë, mes brezit të katundarëve të Jugut që solli në Tiranë Enveri, për këtë nuk kam dyshim; por nga Elezi nuk e prisja, sinqerisht, të vishte zhgunin gegocentrik për t’i stigmatizuar, veç në mos atij si autor i vjen për shtat, qoftë edhe simbolikisht, një lloj revanshi maoist, i llojit “borgjezia bëhet proletariat dhe proletariati borgjezi.” E kotë të shtoj se, në rrethanat kur standardi i sotëm gjuhësor, i bazuar në toskërishten, po sulmohet mbarë e mbrapsht si krijim i politikave gjuhësore totalitare (që për mendimin tim nuk është) dhe vetë toskërishtja po perceptohet aq trashë, nga një takëm militantësh gardistë të kaltër, si zhargoni i komunizmit shqiptar, përpjekja e Elezit për ta vënë personazhin e vet negativ, Lazrin, të flasë në toskërishten jugore, nuk mund të interpretohet ndryshe, veçse si përpjekje për t’i kumtuar lexuesit se edhe ai i bashkohet këtij perceptimi militant dhe përçarës. Në penën e një autori që ka kërkuar dhe kërkon, prej kohësh dhe me djersë e përkushtim si pakkush tjetër, integrimin e elementeve thelbësore të gegërishtes në standard, ky qëndrim tradhton për fat të keq një mendësi po aq krahinore, madje gegocentrike, dhe një vetëdije të rreme për marrëdhëniet politike midis krahinave të Shqipërisë, kulturave rajonale dhe varianteve letrare.

Sign up to vote on this title
UsefulNot useful