Lënda:NDERRMARRSIA 6.1. Financimi, 6.2. Struktura financiare, 6.3. Problemet lidhur me strukturën optimale financiare, 6.4. Burimet e financimit. 1.

Financimi Problemet kryesore të financimit Procesi afarist i çdo subjekti përfshin procesin e furnizimit, procesin e prodhimit dhe procesin e shitjes, me të cilën rrumbullakohet lëvizja e pasurisë që ka për qëllim krijimin e vlerës së shtuar, maksimalizimin e fitimit, si dhe ekzistencën dhe rritën e ndërmarrësit. Nëse likuiditeti kuptohet si zotësi e ndërmarrësit që me pasurinë likuide t’i përmbushë detyrimet e arritura për pagesë, me ç’rast mendohet për detyrimet afatshkurtëra, kurse boniteti si zotësi e përgjithshme e pagimit të detyrimeve, problemi i financimit të ndërmarrësit të vogël është i shprehur pikësëpari si paaftësi e pagimit me kohë të detyrimeve afatshkurtëra të shkaktuara nga mungesa e parasë. Financat afariste të ndërmarrësit duhet t’i vërejnë me kohë këto dukuri dhe t’i sigurojnë paratë me të cilat do të pengohet jolikuiditeti. Në të kundërtën ai do të shëndërrohet në mungesë boniteti dhe stërngarkim me borxhe, kurse në mënyrë zingjirore mund të zgjerohet në tërë ekonominë. Kuptimi i financimit Për inicimin e ndërmarrësisë, ndërmarrësi ka nevojë për para, kurse lartësia e kapitalit fillestar varet nga ajo se për cilën formë juridike të afarizmit bëhet fjalë: shoqërinë e kapitalit ose shoqërinë e personave, apo bëhet fjalë për zejtarinë si ndërmarrës. Gjatë afarizmit paraja u duhet për t’i blerë të gjitha ato që i nevojitem për procesin e prodhimit, kurse me financimin e detyrimeve siguron inputet e nevojshme materiale, rrogat e të punësuarve, shërbimet e jashtme të ndërmarrësve tjerë, tatimet e kontributet ndaj shtetit etj. Mundë të konkludojmë se financimi nënkupton anën monetare të ndërmarrësisë, që përfshin të gjitha format e saj: fillestare, vijuese dhe të financimit zhvillimor të ndërmarrjeve të vogla. Mirëpo, financimi nuk përfshin vetëm sigurimin e parasë, por edhe investimin dhe kthimin e tij. Format e financimit Dallohen tri forma kryesore të financimit: fillestare, vijuese dhe financimi zhvillimor i ndërmarrësit. Financimi fillestar – duhet të sigurojë një sasi të mjaftueshme të kapitalit fillestar për themelimin dhe fillimin e punës së ndërmarrësit gjë që nënkupton sigurimin e burimeve afatgjata për financimin e investimeve fillestare në mjetet afatgjata dhe në mjetet e përhershme të xhiros. Financimi vijues – duhet të sigurojë sasi të mjaftueshme të burimeve afatshkurtëra për financimin e nevojave të përditshme afatshkurtëra të ndërmarrësit, gjë që nënkupton financimin e mjeteve të nevojshme të xhiros për mbështetjen e afarizmit të tij cilësor dhe për ruajtjen e bonitetit dhe të likuiditetit të ndërmarrësit. Financimi zhvillimor – duhet të sigurojë sasi të mjaftueshme të burimeve shtesë afatgjata për financimin e investimeve të reja, përkatësisht për zhvillim dhe rritje.

6.2. Struktura financiare Struktura financiare e ndërmarrësit rezulton nga bilanci i tij. Ajo paraqet baraspeshën e aktives që përbënë pasuria e ndërmarrësit dhe të pasives që e përbëjnë burimet e kësaj pasurie. Procesi i financimit formalizohet në kontabilitetin e subjektit ekonomik. Andaj, bilanci është burimi kryesor i informatave për analizimin e gjendjes financiare të ndërmarrësit. Struktura financiare vertikale Struktura e aktives Struktura financiare vertikale përfshin strukturën e aktives dhe të pasives së bilancit pasuror të ndërmarrësit. Ndërmarrësi ka nevojë të vazhdueshme për pasurinë, përkatësishtë për mjetet me të cilat do ta zhvillojë veprimtarinë, varësisht nga dinamika e afarizmit dhe rritja e tij, nevojat ndryshojnë. Aktivi i bilancit pasuror tregon se me çfarë pasurie të gjithmbarshme, përkatësishtë me çfarë mjetesh afariste disponon ndërmarrësi për ushtrimin e veprimtarisë. Aktivi i bilancit përfshin lloje dhe forma të ndryshme të pasurisë: para, sende, të drejta e kërkesa dhe pasuri të tjera që nga aspekti i kontabilitetit i paraqesim në raportin ndërmjet pasurisë afatgjatë dhe afatshkurtër. Struktura e pasives Ajo tregon se nga të cilat burime financohet pasuria që e disponon ndërmarrësi, përkatësishtë sa është financuar kjo pasuri me kapital vetjak, e sa me mjete të huaja(detyrime), pastaj çfarë është maturimi i këtyre detyrimeve. Me të formalizohet raporti i pronarit kundrejt burimeve të mjeteve, andaj, pa marrë parasysh rëndësinë primare të aktives, pasiva e bilancit pasuror paraqet problemin kyç në analizën e strukturës së burimeve të financimit të ndërmarrësit. Struktura financiare horizontale Struktura financiare horizontale është një lidhmëri e afatizuar ndërmjet aktives dhe pasives së bilancit. Në anën e aktives janë paraqitur nevojat totale për mjetet si dhe struktura e tyre e dëshiruar. Se në çfarë mase dhe me çfarë mjetesh ajo do të mbështetet, varet nga struktura financiare e pasives, përkatësishtë nga formimi i saj, duke pasur parasysh nevojat e strukturës së afatizuar të aktives. Me analizën e strukturës financiare horizontale ndërmarrësit mund të analizojnë situatën financiare të ndërmarrjes së vet. 6.3. Problemi i strukturës optimale financiare Dinamika dhe specifikat e çdo sistemi afarist veç e veç, ndërmarrësve për çdo ditë ua imponon pyetjen – cila është struktura financiare optimale e afarizmit të tyre. Pyetja ka të bëjë me përcaktimin e raporteve ndërmjet pozicioneve të madhësisë dhe strukturës së pasurisë nga njëra anë, si dhe pasurisë dhe strukturës së kapitalit e të detyrimeve nga ana tjetër, përkatësisht në vendosjen e gjendjes në të cilën detyrimet janë në raport të arsyeshëm kundrejt kapitalit. Nuk ekziston një përgjigje njëkuptimore, ngase pozita e çdo ndërmarrësi ndryshon kundrejt mjedisit, pastaj nevojat janë të ndryshme, ndërkaq ndryshon edhe raporti kundrejtë detyrimeve kundrejt kapitalit në burimet totale të mjeteve të punës sipas veprimtarive.

Optimalizimi i investimeve në mjetet themelore Çdo ndërmarrës duhet ta dijë se çfarë është madhësia dhe struktura e pasurisë afatgjate, përkatësisht mjeteve themelore, që janë të nevojshme për sistemin e tij afarist. Me planifikimin e investimeve do t’i definojë nevojat e veta para se ta merr vendimin për investime. Procedura e matjes, përkatësisht vlerësimit të arsyeshmërisë ekonomike dhe efektivitetit të investimeve kryesisht realizohet: - Me metodën e amortizimit, - Me metodën e vlerës së tanishme, - Me metodën e normës së brendshme të rentabilitetit. Së fundi, vlen të theksohet se këto metoda mund të shërbejnë si kriter edhe për zgjedhjen e projektit më të volitshëm investues, andaj i shfrytëzojnë të gjithë ata që janë në situatë të zgjedhin ndërmjet më shumë projekteve të ofruara, e kjo veçmas vlen për institucionet financiare. Përcaktimi i mjeteve të nevojshme të xhiros Këtë procedurë e vështirëson fakti se madhsia e mjeteve të nevojshme të xhiros ndryshon vazhdimisht në ndikimin e faktorëve të ndryshëm ekstern dhe intern. Në bazë të ligjshmërive për ecurinë qarkore të mjeteve afariste totale vërehet se roli kryesor për lidhshmërinë e të gjitha funksioneve të procesit riprodhues u takon pikërisht mjeteve të xhiros. Ndërmarrësi duhet të sigurojë një sasi të mjaftueshme të mjeteve të xhiros që janë të nevojshme për realizimin e procesit afarist, por edhe optimalizimin e shfrytëzimit të tyre gjë që nënkupton që me mjete minimale të xhiros të arrihen rezultate maksimale. 6.4. Burimet e financimit Me burimet e financimit fillon dhe mbaron rrethi i financimit të procesit afarist. Prejardhja, lloji dhe kushtet e financimit janë faktorë thelbësorë për një afarizëm të sukseshëm dhe për zhvillimin e ndërmarrësit. Tre janë format themelore të organizimit të ndërmarrësit: Shoqëria tregtare në pronësi të një personi ku pronari, sipas rregullit është edhe menaxher. Vetëm ai e bartë rrezikun për afarizmin. Kapitalin fillestar e përbëjnë mjetet e pronarit, financimi sigurohet nga afarizmi, kurse kapitali themelor shtesë për financimin e zhvillimit sipas rregullit sigurohet nga kursimet dhe rezultatet pozitive të pronarit. Shoqëria tregtare në pronësi të më shumë pronarëve është formë e organizimit në të cilën partnerët e menaxhojnë bashkërisht shoqërinë, bashkërishtë e bartin rrezikun e afarizmit dhe e shpërndajnë fitimin. Kapitalin fillestar e sigurojnë nga kuotat e përhershme të kapitalit të partnerëve, financimin e rregullt e sigurojnë nga afarizmi, kurse financimin e zhvillimit nga burimet e kombinuara. Shoqëria aksionare që sipas rregullit ka më shumë bashkëpronarë (aksionar) të cilët e sigurojnë kapitalin fillestar me investimin e parave, sendeve ose të të drejtave, veprimtarinë e rregullt e financojnë nga burime të kombinuara, kurse financimin e zhvillimit e bazojnë kryesisht në marrjen e borxheve. Burimet sipas mënyrës së formimit Procesi afarist mund të financohet nga më shumë burime të ndryshme të cilat, sipas mënyrës së formimit, zakonisht janë të prezentuara si: - Burimet afariste të financimit,

- Burimet investuese të financimit, - Burimet monetare të financimit. Llojet e financimit Ekzistojnë kritere të ndryshme sipas të cilave bëhet ndarja në lloje të caktuara të financimit të sistemit afarist, e më të shpeshta janë: sipas kohës së disponibilitetit të burimeve, prejardhjes së burimeve dhe pronësisë së burimeve. Sipas kohës së deisponibilitetit të burimeve dallojmë financimin afatshkurtër dhe afatgjatë të sistemit afarist. Karakteristikë e financimit afatshkurtër janë disponibiliteti kohor i burimeve deri një vit. Në pajtim me këtë të gjitha ato burime të financimit që janë të disponueshme më gjatë se një vit janë burime afatgjate. Sipas prejardhjes se burimeve dallojmë burimet e brendshme dhe të jashtme të financimit.  Burimet e brendshme të financimit të ndërmarrësit janë të gjitha ato burime që dalin nga afarizmi i tij. Në pajtim me këtë burimet e jashtme të financimit përbëhen nga të gjitha ato burime nga të cilat ndërmarrësi siguron para që nuk arrin t’i ndajnë nga burimet e brendshme. Sipas pronësisë së burimeve dallojmë burime vetjake të financimit, pra të gjitha ato burime që pronari i siguron dhe nuk është i detyruar t’i kthejë, dhe burimet e huaja të financimit që janë të gjitha ato burime që i takojnë pronarit ose nuk rrjedhin nga afarizmi, por me financimin e tyre krijohen detyrime për ndërmarrësin që janë të afatizuara dhe të cilat duhet të kthehen me kamatë. Financimi afatshkurtër Format themelore të financimit afatshkurtër janë kreditë tregtare, kreditë afatshkurtra bankare të organizatave financiare, letrat komerciale dhe faktoringu. Kreditë tregtare – rezultojnë nga procesi i rregullt afarist, me ç’rast dallojmë kreditë tregtare me afate të zakonshme të pagesës pa shpenzimet e kamatës dhe me mundësinë e lejimit të rabatit për pagesën parakohshme(kreditë e lira tregtare) dhe kreditë me shpenzimet e kamatës(kreditë tregtare me interes), nëse shtyhet pagesa prej afatit të kontraktuar. Kreditë bankare afatshkurtëra – janë një formë e shpeshtë e burimeve të huaja të financimit. Për to janë thelbësore pikënisjet e maturimit të afateve, fleksibiliteti, kolaterali dhe shpenzimet e kredisë. Kreditë sipas fleksibilitetit ndahen në : kredi fikse, kornizë dhe revolving. Financimi afatgjatë Financimi afatgjatë i ndërmarrësve nga burimet e huaja nënkupton investimet ne blerjen e pasurisë afatgjate, pra investimet në ndërtime, blerjen e paisjes, të stabilimenteve dhe të pasurisë tjetër afatgjate. Parakusht thelbësor për këtë lloj të financimit është mirëbesimi reciprok i bankës dhe i komitentit si dhe bashkëpunimi afarist afatgjatë, ndërkaq pikëmbështetjet qenësore të këtij kreditimi janë sigurimi i kthimit të kredisë, pronësia e pasurisë së fituar me kreditim, pjesmarrja vetjake e investitorit në financimin e investimeve, periudha e fillimit të kthimit të kredisë dhe respektimi i afateve të kontraktuara për kthimin e kredisë. Lizingu(qiraja) është një formë e shpeshtë, e nganjëherë edhe e vetme e financimit të ndërmarrësve, kur ata nuk posedojnë burime të mjaftueshme vetjake dhe të huaja kredituese. Kjo është formë e financimit që u mundëson blerjen me kushte më të

volitshme të lokaleve të punës, makinave ose pajimeve dhe të pasuris afatgjate, veçmas atyre ndërmarrësve që janë në fillim të veprimtarisë së vet. Franshizingu është një formë e rëndësishme e financimit të ndërmarrjeve të vogla, veçmas të atyre fillestare, sepse për themelimin e ndërmarrjes dhe fillimin e punës nuk nevojitet kapital i madh, kurse rreziku është më i vogël në krahasim me forma të tjera të veprimtarisë.

Temat: 7.1. Llojet e kontabilitetit, 7.2. Sistemi i kontabilitetit të ndërmarrësit, 7.3. Kontabiliteti i zejtarit, 7.4. Organizimi i kontabilitetit të ndërmarrësit, 7.5. Kontabiliteti dhe kontrollingu. 7.1. Llojet e kontabilitetit Sipas Ligjit mbi kontabilitetin, ndërmarrës konsiderohet personi juridik që ushtron veprimtari ekonomike për realizimin e fitimit. Po ashtu ndërmarrës është edhe personi fizik i cili në mënyrë të pavarur e ushtron veprimtarinë ekonomike për realizimin e fitimit, nëse me dispozitat e veçanta është caktuar si pagues i tatimin mbi fitimin. Dallojmë kontabilitetin e ndërmarrësit në kuptim të ngushtë dhe kontabilitetin e bankave dhe të organizatave financiare ose të shoqërive të sigurimeve dhe të risigurimeve. Këtu do të bëhet fjalë pikërishtë për kontabilitetin financiar të ndërmarrësit në kuptimin e ngushtë, që është bazë e kontabilitetit për të gjithë ata ndërmarrës që veprojnë si shoqëri tregtare dhe që janë të detyruar të paguajnë tatimin mbi fitimin, ndërkaq nuk janë banka dhe organizata financiare ose shoqëri të sigurimeve dhe të risigurimeve. 7.2. Sistemi i kontabilitetit të ndërmarrësit Sistemi i kontabilitetit të ndërmarrësit të organizuar si shoqëri është rregulluar me një sërë dispozitash ligjore, aktesh nënligjore, rregulloresh etj. Mirëpo akti themelor me të cilin rregullohet korniza institucionale e kontabilitetit financiar të ndërmarrësit është Ligji mbi kontabilitetin. Po ashtu veçmas janë të rëndësishme parimet dhe standartet e kontabilitetit të caktuara me standartet ndërkombëtare të kontabilitetit, si dhe vetë politikat e kontabilitetit. Parimet e kontabilitetit Këto janë parime ose presupozime themelore që mundësojnë unifikimin e metodave, rregullave dhe procedurave me qëllim të sigurimit të informatave cilësore të kontabilitetit të prezentuara në raportet financiare themelore. Aplikimi i parimeve të kontabilitetit siguron që raportet financiare të ndërmarrësit të jenë transparente. Parimet e kontabilitetit janë: - Parimi i vazhdimësisë ose i kohëzgjatjes së pakufizuar të veprimtarisë, - Parimi i aplikimit konsekuent, - Parimi i shfaqjes së ndodhisë. Standartet e kontabilitetit Standartet e kontabilitetit mundësojnë unifikimin dhe krahasimin e të dhënave të prezantuara në raportet financiare të ndërmarrësit. Në mënyrë që, përveç atyre nacionale, të sigurohet unifikimi i dispozitave dhe standarteve të kontabilitetit në nivelin ndërkombëtar, janë zhvilluar edhe standartet ndërkombëtare të kontabilitetit. Politikat e kontabilitetit Këto janë parime dhe standarde të veçanta që i aplikon kontabiliteti i ndërmarrësit me rastin e përpilimit dhe prezentimit të raporteve financiare.

Ndërmarrësi është i detyruar të miratojë politikat e kontabilitetit, ndërkaq me rastin e zgjedhjes dhe të miratimit të tyre, është i detyruar të respektojë dhe të merr për bazë parimet përgjithësishtë të pranuara të standarteve ndërkombëtare të kontabilitetit. Miratimi i politikave të kontabilitetit ka për qëllim zgjedhjen e procedurave konkrete të kontabilitetit të ndërmarrësve në të gjitha ato raste kur me standartet ndërkombëtare të kontabilitetit ndonjë çështje nuk është saktësuar deri në fund, kurse ndërmarrësve u është lënë mundësia e zgjedhjes së metodave për matjen e elementeve të raporteve financiare. Ndarja e kontabilitetit Kontabiliteti i ndërmarrësit, si sistem gjithpërfshirës i përsjelljes dhe i raportimit për aktivitete afariste të ndërmarrësit, mund ti vrojtojmë nga dy aspekte: këtë nga aspekti i afarizmit dhe nga aspekti i veprimtarisë së kontabilitetit. Kontabiliteti nga aspekti i afarizmit – nga ky aspekt, përkatësisht sipas kriterit se ai i përfshinë të gjitha ose vetëm disa pjesë të procesit të afarizmit të kontabiliteti i ndërmarrësit kryesisht ndahet në: 1. Kontabiliteti financiar, 2. Kontabiliteti i shpenzimeve, 3. Kontabiliteti menaxhues. Kontabiliteti nga aspekti i veprimtarisë kontabël – nga aspekti i veprimtarisë kontabël, kontabiliteti i ndërmarrësit përfshinë planifikimin kontabël, mbikëqyrjen kontabël dhe analizën kontabël. Raportet financiare të ndërmarrësit Raportet financiare me destinim të përgjithshëm kanë për qëllim publikimin e saktë të informatave për pozitën dhe gjendjen financiare në ditën e caktuar dhe lidhur me punën e suksesshme të ndërmarrësit brenda një periudhe të caktuar llogaritare që i shërben një rrethi më të gjërë të shfrytëzuesve me rastin e vendimarrjes. Për realizimin e këtyre qëllimeve raportet financiare të ndërmarrësit ofrojnë informata për pasurinë, detyrimet, kryegjënë, të hyrat dhe të dalat, përfshirë fitimin dhe humbjet si dhe rrjedhën e parasë. Me rastin e hartimit të raporteve financiare, të gjithë ndërmarrësit, pa marrë parasysh madhësinë e tyre, janë të detyruar t’i zbatojnë plotësishtë standartet e kontabilitetit. BILANCI Bilanci është një pasqyrë sistemore e kontabilitetit lidhur me gjendjen e pasurisë, borxheve(detyrimeve) të shoqërisë dhe të kryegjësë së pronarit në ditën e caktuar. Çdo ndërmarrës, pa marrë parasysh madhësinë, harton bilancin një herë në vit, përkatësishtë në fund të vitit, por nëse është e nevojshme këtë mundë ta bëjë për çdo tre muaj e madje edhe për çdo muaj. Pasuria është vlera totale e resurseve ose e të drejtave që i disponon ndërmarrësi dhe që i shfrytëzon për realizimin e aktivitetit ekonomik nga i cili pret një fitim të caktuar. Sipas nocionit pasuria mund të jetë në para, sende, të drejta dhe kërkesa, si dhe ndarjet aktive kohore, e sipas funksionit që ka pasuria ndahet në pasurinë afatgjate dhe pasurinë afatshkurtër. Detyrimet janë borxhe, ndërkaq përfshijnë kapitalin e huaj që ndërmarrësi e ka marrë nga të tjerët në munggesë të kapitalit të vetë. Detyrimet mund të krijohen me huazimin e parasë në tregun e kapitalit, me blerjen e paisjeve, të materialit dhe të mallrave nga furnitorët sipas fuqisë ligjore. Kryegjëja është synonim për kapitalin vetjak, përkatësishtë të pronarëve. Përfshin investimet totale të ndërmarrësit në një aktivitet ekonomik. Sipas standarteve

ndërkombëtare të kontabilitetit kryegjëja është mbetja e pasurisë së ndërmarrësit pas zbritjes së të gjitha detyrimeve të tij. 7.3. Kontabiliteti i zejtarit Për dallim nga ndërmarrësit e organizuar si shoqëri e cila është e detyruar të paguajë tatimin mbi fitimin, ndërmarrësit e organizuar si zejtarë janë të detyruar ta paguajnë tatimin mbi të ardhurat. Nga kjo diferencë, përkatësishtë për faktin se zejtarët janë të detyruar të paguajnë tatimin mbi të ardhurat, rezultojnë edhe karakteristikat kryesore të kontabilitetit të tyre, sipas të cilave ai dallon nga kontabiliteti i ndërmarrësve të organizuar si shoqëri. Karakteristikat themelore të kontabilitetit të zejtarit Karakteristikat themelore të kontabilitetit të zejtarit janë: - Evidenca sipas parimeve të kontabilitetit të thjeshtë, - Të ardhurat janë diferenca ndërmjet marrjeve dhe shpenzimeve afariste, - Marrjet afariste janë të gjitha të hyrat, - Shpenzimet afariste janë të gjitha të dalat, - Aplikohet parimi i punës së arkës, - Çregjistrimi(shlyerja) e pasurisë afatgjate. Librat afariste Kontabiliteti i ndërmarrësit të organizuar si zejtarë është i detyruar t’i mbajë librat afariste. Me ligjin për tatimin mbi të ardhurat është përcaktuar se këto janë libri i të hyrave dhe të dalave, libri i qarkullimit,libri i pasurisë afatgjate dhe evidenca e kërkesave dhe e detyrimeve, por që zejtarët të cilët janë të detyruar të paguajnë tatiminmbi vlerën e shtuar duhet të mbajnë edhe librin e faturave dalëse dhe hyrëse e në këtë rast nuk janë të detyruar të mbajnë evidencën e kërkesave dhe detyrimeve. Libri i të hyrave dhe i të dalave Në këtë libër evidentohen të hyrat dhe të dalat totale afariste nga ushtrimi i veprimtarisë në periudhën e caktuar tatimore, me qëllim të përcaktimit të të ardhurave. Evidenca e kontabilitetit në librin e të hyrave dhe të dalave duhet të mbahet me rregull, me kohë dhe saktësishtë në bazë të dokumenteve autentike të kontabilitetit, ndërkaq mbahet sipas parimit të punës së arkës. Kjo do të thotë se në librin e të hyrave dhe të dalave në periudhen tatimore mundë të rexhistrohen vetëm të hyrat e realizuara, përkatësishtë të mirat e dala, me përjashtim të shpenzimeve për blerjen e pasurisë afatgjate ku si shpenzim konsiderohet çregjistrimi i pasurisë afatgjate gjatë kohëzgjatjes së qëndrueshmërisë së saj në shumën që është në pajtim me dispozitat. Të hyrat afariste Të hyra afariste janë të gjitha të mirat(paraja, sendet, të drejtat materiale, shërbimet etj), që realizohen në periudhën tatimore në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë zejtare. Të hyrat tatimore konsiderohen edhe marrjet nga shitja dhe përjashtimi i sendeve dhe të drejtave, përveç përjashtimit të pasurisë financiare që shërben për ushtrimin e veprimtarisë që evidentohet si pasuri investuese apo që është dashur të jetë në kuadër të pasurisë afatgjate si dhe marrjet nga shitja ose likuidimi i veprimtarisë, përveç nëse pasurisë afatgjate, si dhe marrjet nga shitja ose likuidimi i veprimtarisë, përveç nëse fituesi i veprimtarisë e vazhdon veprimtarinë dhe më vonë e siguron tatimin e rezervave të fshehura.

Të dalat afariste Të dalat afariste janë të gjitha të mirat e ndërmarrësit të dala gjatë periudhes tatimore në lidhje me fitimin, sigurimin dhe ruajtjen e të hyrave afariste dhe të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me ushtrimin e veprimtarisë. Në të dala afariste bëjnë pjesë edhe vlera kontabël e të mirave të shitura ose të përjashtuara të pasurisë afatgjate si dhe pasuria e tjetërsuar dhe likuidimet. Të dala afariste konsiderohen edhe shpenzimet për material, për prodhime, për mallra, energji dhe shërbime që shërbejnë për krijimin e të ardhurave, ndërkaq llogariten si të dala deri në lartësinë e çmimit të blerjes ose të shpenzimeve të prodhimit. Amortizimi Të ardhurat janë diferenca ndërmjet të hyrave dhe të dalave afariste brenda një periudhe llogaritare, gjë që nënkupton hyrjen ose daljen reale të mirave të saktësuara në kaptinat paraprake prandaj, çregjistrimi(amortizimi) i pasurisë afatgjate sipas kohëzgjatjes së saj nuk do të mund të konsiderohej si e dalë afariste, përkatësishtë si shpenzim afarist i zejtarit brenda periudhes llogaritare, ngase nuk janë të dala reale të të mirave nga veprimtaria e zejtarit. Bazë për llogaritjen e amortizimit si shpenzim është regjistrimi i pasurisë afatgjate i bërë sipas parimeve të regjistrimit të rregullt, me kohë dhe të saktë, siç është përcaktuar me rregulloren për tatimin mbi të ardhurat. Libri i qarkullimit Ky libër mbahet për çdo vend të shitjes kështu që në fund të çdo dite të punës, e më së voni para fillimit të ditës së ardhshme të punës, regjistrohen të hyrat në arkë, përkatësisht të hyrat e paguara në para të gatshme dhe në çeqe, për çdo vend të shitjes veç e veç. Librin nuk janë të detyruar ta mbajnë ata ndërmarrës që të dhënat për qarkullimin ditor në para të gatshme i sigurojnë nga evidenca në librin e të hyrave dhe të dalave ose në evidencat e përcaktuara me ligje të tjera, apo nëse këro evidenca mbahen në vendin ku realizohen të hyra në para të gatshme. 7.4. Organizimi i kontabilitetit të ndërmarrësit Organizimi i kontabilitetit të ndërmarrësit të institucionalizuar si shoqëri tregtare ose si zejtar kërkon përgjigje në së paku tri pyetje themelore: kur do të fillojë puna, a do ta ketë kontabilitetin e vet apo do ta huazojë dhe çfarë do të jetë organizimi i kontabilitetit. Me institucionalizimin e shoqërisë ose të zejtarit, kontabiliteti është shërbimi i parë që fillon të veprojë. Përgjigja në pyetjen se a duhet të organizohet kontabiliteti vetjak ose të shfytëzohen shërbimet e kontabilitetit të huazuara varet nga aktiviteti i gjithmbarshëm afarist, nga potencialet njerëzore dhe nga mundësitë teknike-teknologjike, nevojat për mbrojtjen e të dhënave nga kërkesat për raportime. 7.5. Kontabiliteti dhe kontrollingu

Përcaktimi i kuptimit të kontrollingut Kontrollingu si disiplinë ekonomike nuk ka një kuptim universal, por varësishtë nga shkalla e zhvillimit dhe e aplikimit në mjedise të caktuara, definohet në disa mënyra. Sipas disave, kontrollingu për shkak të lidhshmërisë me kontabilitetin edhe më tutje identifikohet me kontrollin e afarizimit apo, për shkak të lidhshmërisë së ngushtë me procesin e planifikimit, identifikohet me këtë funksion afarist.

Në kuptimin e ngushtë të fjalës kuptimi i kontrollingut rrjedh nga fjala CONTROL, që ka disa interpretime siç janë kontrolli, verifikimi, mbikëqyrja, hulumtimi, zhvillimi, orientimi etj. Sipas mendimit më të hapur kontrollingu është funksioni brenda sistemit të menaxhmentit me të cilin rritet efektiviteti i tij, e kësisoj edhe aftësia për t’ju përshtatur ndryshimeve brenda dhe jashtë ndërmarrjes. Në aspektin organizativ, kontrollingu në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është i organizuar kryesishtë në kuadër të shërbimeve të ngjashme të kontabilitetit, planit dhe analizës, financave etj. kurse te ndërmarrjet e mëdha zakonisht është i pavarur në aspektin organizativ. Raporti ndërmjet kontrollingut dhe kontabilitetit Kontabiliteti është pjesë e sistemit të informacionit dhe të kontrollit të ndërmarrësit. Ai ka për detyrë të sigurojë informata të natyrës financiare me qëllim të marrjes së vendimeve menaxheriale, veçmas në sferën e planifikimit, përgatitjes së bilancit dhe kontrollit të shpenzimeve, të të hyrave dhe të fitimit, si dhe kontrollin e zbatimit të vendimeve të marra. Po ashtu, kontrollingu përfshin procesin e harmonizimit të planifikimit të kontabilitetit dhe të kontrollit të sistemit llogaritar me planifikimin dhe kontrollin e afarizmit. Kontrollingu duhet të sigurojë që rezultatet e ndërmarrësit të realizohen brenda kufijve të planifikuar. Për ta realizuar këtë detyrë kontrollingu ndikon në përgatitjen dhe formësimin e të dhënave dhe informatave të kontabilitetit, si dhe në orientimin e kontabilitetit drejt së ardhmes. Planifikimi dhe kontrolli i aktiviteteve afariste Planifikimi dhe kontrolli janë funksionet themelore menaxheriale. Planifikimi është i orientuar drejt së ardhmes dhe përfshin parashikimin e qëllimeve dhe përcaktimin e mënyrave, procedurave dhe të aktiviteteve për realizimin e tyre. Funksionet e planifikimit dhe të kontrollit janë ndërlidhura reciprocikishtë dhe me anën e tyre menaxhmenti përpiqet ti shmangë ose t’i zvogëlojë rreziqet në afarizmin e vet. Lidhshmëria e planifikimit dhe e kontrollit paraqitet në atë mënyrë që përcaktimi i qëllimeve që synohet të arrihet me anën e planifikimit zbatohet nëpërmjet të përpilimit të bilanceve në të gjitha nivelet dhe i harmonizuar me bilancin total të ndërmarrësit.

Kontrollingu dhe vlerësimi i efektivitetit menaxherial Me anën e kontrollingut duhet të realizohen rezultate optimale të afarizmit brenda kufijve të planifikuar. Prandaj, për zbatimin praktik të funksionit të kontrollingut është e nevojshme të bëhet zbatimi në plane(buxhet) nga njëra anë, si dhe instituimi i sistemit të masave, standarteve e veprimeve të kontrollit dhe të kontrollit buxhetor nga ana tjetër. Përcaktimi i qëllimeve që priten të realizohen me anën e planifikimit bëhet nëpërmejt hartimit të bilancit. Bilanci, përkatësishtë llogaria e ndërmarrësit(master-buxheti) zakonisht përgatitet për një vit, ndërkaq ka për qëllim zbatimin e planeve afatgjata brenda termineve afatshkurtëra dhe përbëhet nga: Bilanci operativ, dhe bilanci financiar. Me përcaktimin e bilancit caktohen kriteret për matjen e përgjegjësisë së menaxherëve. Kontabiliteti i siguron menaxhmentit informatat e nevojshme për marrjen e vendimeve afariste, informatat për shmangiet në krahasim me detyrat e planifikuara, informatat lidhur me atë se kush është përgjegjës për rreziqet e krijuara, cilat dallime do të duhej hulumtuar dhe së fundi cilat aktivitete korrigjuese duhet ndërmarrë.

Sign up to vote on this title
UsefulNot useful