Created by shefdomi

Provimet e matures, programet orientuese 2012

Provimet e Matures 2012 Publikohen programet orientuese të maturës për 40 lëndë. Me anë të tyre maturantët do të përgatiten për të dhënë provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve nxënësit mund të gjejnë paketën e plotë. Janë gati gjithashtu edhe programet për shkollat profesionale. Gazeta publikon të plota programet për lëndët e detyruara Matematikë dhe Fizikë, provimet e të cilave maturantët do të mund t’i japin të parat. Matura e këtij viti ka ndryshuar pasi këtë vit mbyll studimet brezi i parë me kurrikulat e reja në gjimnaze, të cilat përbëhen nga lëndë bërthamë dhe lëndë me zgjedhje. Një tjetër ndryshim që i është bërë rregullores është shtimi i një lënde të tretë me zgjedhje. Sipas dëshirës, maturantët mund të vendosin ta caktojnë atë në formularin A1. Plotësimi i tij do të nisë javën që vjen. “Do të fillojë të plotësohet nga data 20 shkurt, për t’u dorëzuar nga maturantët më 10 mars”, sqaruan përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit. Ky afat do të respektohet edhe nga maturantët që jetojnë në zonat e bllokuara për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, pasi Ministria do të zhvillojë për këta nxënës kurse intensive. Sipas rregullores, kandidatët nuk lejohen të japin provimet me zgjedhje të detyruar nëse kanë rezultuar kalues në maturat e viteve të mëparshme, me përjashtim të rastit kur rezultatet e tyre janë nën 4.50. Në rast se kandidati e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë në provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i fundit. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin “Meritë-Preferencë” për këto lëndë merren koeficientet e vitit shkollor 2011-2012.