You are on page 1of 9

1.

Hyrje

Teoria e Zgjedhjes Racionale (TZR) është një model apo një qasje për shpjegimin dhe

parashikimin e sjelljes njerëzore e cila në mënyrë parashtron se në zgjedhjet e tyre

njerëzit mundohen të bëjnë më të mirën e mundshme për përmbushjen e interesave të

tyre vetjake (një përkufizim dhe diskutim më i plotë do të jepet më vonë). Ajo është një

nga teoritë më me ndikim dhe më të debatueshme në shkencat sociale. TZR ka qenë për

një kohë relativisht të gjatë qasja teorike kryesore në shkencat shoqërore dhe humane

(apo rryma të caktuara brenda tyre), veçanërisht në ekonomi, shkenca politike e

marrëdhënie ndërkombëtare, sociologji, antropologji, biologji, studimet e besimit fetar,

etj. Ndonëse në dekadat e fundit mbizotërimi dhe shkëlqimi i saj është errësuar disi ‒

kryesisht nën dritën e fakteve që tregojnë një fuqi deri diku të pakët shpjeguese të saj ‒

ajo vazhdon të mbetet një rrymë e rëndësishme e mendimit në shumë prej displinave të

mësipërme, ndërkohë që është një nga themelet kryesore të ekonomsië, në veçanti

mikroekonomisë. Por edhe në ato fusha ku pozita e saj është lëkundur, teoria e

zgjedhjes racionale apo elementë të saj vazhdojnë të ofrojnë këndvështrime të

rëndësishme depërtuese në ndërtimin e teorive të sjelljes njerëzore dhe shoqërore.


2. Çfarë është shkencë?

Njerëzit kanë nevojë për të njohur botën. Kjo nevojë lind përsëpari nga nevoja për siguri

dhe mirëqenie ‒ jeta jonë është aq më e sigurtë dhe e mirëqenë sa më shumë e njohim

botën, sa më shumë njohim dhe shpjegojmë dukuritë e saj dhe lidhjet midis tyre. Një

dije e tillë bën të mundur përshtatjen e sjelljes sonë ndaj botës që na rrethon,

shfrytëzimin më të mirë të burimeve që ekzistojnë në botë, sikurse mundësojnë

ndryshimin e botës për ta vënë atë në shërbim të nevojave dhe interesave tona.

Por ne e studiojmë gjithashtu botën për të kënaqur ndjenjën tonë të habisë, të

kuriozitetit. Ashtu siç thoshte Aristoteli, “filozofia fillon me habinë”, ndaj hulumtimet

dhe studimet tona shpesh kërkojnë shpjegime për të kënaqur këtë habi. Të kuptosh më

mirë botën, të ndjesh se si rritet njohuria rreth saj është e pëlqyeshme në vetvete. Të

gjithë kemi provuar ngazëllimin që ndjejmë kur mësojmë diçka të re edhe kur ajo nuk

ka ndonjë ndikim direkt në jetën tonë të përditshme.

E megjithatë jo e gjithë dija apo njohuritë që kemi në një moment të caktuar mbi botën

mund të quhen dije shkencore në kuptimin e mirëfilltë. Një pjesë e njohurive apo dijes

mund të jetë njohuri artistike, llogjike, historike, etj. Por edhe ato njohuri që me të drejtë

bien brenda fushave të njohura si shkencore nuk është e thënë se janë

domosdoshmërisht dije shkencore ndaj një nga diskutimet e para që ndeshet në çdo

fushë të shkencës është çështja se çfarë përbën dije shkencore: kur duhet ta

konsiderojmë një propozim, konkluzion apo deklarim si shkencor.


Kjo çështje nuk duket që është shumë e debatueshme në dispilinat natyrore apo

ekzakte. Këto disiplina tashmë kanë arritur një pikëpamje të konsoliduar mbi çfarë

është dije apo njohuri shkencore. Janë shkencat e ashtuquajtura shoqërore ‒ të cilat

studiojnë sjelljen dhe ndërveprimet e qenieve njerëzore si individë të veçantë apo si

grup individësh ‒ në të cilat kjo çështje është një nga çështjet parësore që debatohet

ende prej shumë dekadash. Qëndrimi ndaj kësaj çështje, krahas rëndësisë filozofike apo

praktike (pasi propozimet e shkencave sociale, mbi të gjitha ekonomisë, jo rrallë

kushtëzojnë politikat publike) ka rëndësi të madhe për vetë natyrën e shkencave

shoqërore pasi ai ndikon metodologjinë që këto shkenca përqafojnë në studimin e

sjelljes njerëzore dhe sociale.

Mund të ofrohen dhe gjithmonë janë ofruar përcaktime të ndryshme se çfarë është dije

shkencore, por pa hyrë në diskutime të mëtejshme (diskutime që i përkasin filozofisë së

shkencës) për qëllimet e këtushme do të pranojmë përcaktimin e propozuar nga Karl

Poper dhe plotësuar nga të tjerë pas tij se një disiplinë e caktuar mund të quhet shkencë

nëse ajo ka arritur të ndërtojë “një trupë të organizuar të dijes, të koordinuar, të

rregulluar dhe sistemuar në bazë të ligjeve dhe parimeve të përgjithshme”.

Që propozime të caktuara të mund të mund të jenë ligjësi apo parime të përgjithshme

është e nevojshme të plotësojnë të paktën dy kushte: 1) të ofrojnë shpjegime shkakësore

universale rreth dukurive, që do të thotë se duke patur të dhënë kushtet fillestare mund

të nxirret një parashikim unik; dhe 2) këto lidhje shkakësore duhet të jenë të

verefikueshme. Kjo e fundit do të thotë që çdo lloj propozimi, hamendësimi, hipoteze

mbi marrëdhëniet mes fakteve apo dukurive duhet të provohet përkundër ngjarjeve

apo ndodhive të vëzhgueshme në praktikë apo eksperimenteve dhe vetëm nëse

rezultatet e kësaj prove e kënaqin deklarimin atëhere ai mund të quhet shkencor. Një
rrjedhojë e këtij konceptimi është që shkencore mund të quhen ato pohime apo teori të

cilat kanë fuqi parashikuese.

Ndryshimi kryesor midis këtij përcaktimi të shkencës nga përcaktimet e tjera është se ai

e riformulon shkencën nga një proçes deduktiv llogjik siç kondiderohej më parë në një

proçes empirik të testimit të vazhdueshëm në praktikë të hipotezave shkencore.

Është e qartë se në bazë të standartit të mësipërm nuk mund të klasifikohen si shkencë

një numër disiplinash shoqërore, ndërkohë që shumë të tjera vihen në pozitë të

dyshimtë përballë tij. Kështu, një pjesë e teorive modern, të tilla si post-modernizmi,

dekonstruktizmi, etj., apo displina më të hershme, si antropologjia, janë më afër

interpretimit apo kritikës letrare sesa analizës shkakësore. Po ashtu, teoritë që ofrojnë

shpjegime funksionale të dukurive shoqërore në termat e pasojave dhe jo shkaqeve nuk

mund të llogariten si shkencë.

Në të vërtetë standarti i mësipërm vështirë se do të linte vend për ndonjë shkencë

sociale në kuptimin më të ngushtë të fjalës. Nëse një pohim i tillë duket shumë i ashpër

dhe i padrejtë, mund të themi të paktën se në përgjithësi “nuk ka teori të suksesshme në

shkencat shoqërore.” Ndonëse në fondin e tyre ato përmbajnë të ashtuquajtura “teori”,

këto nuk janë më shumë sesa thjesht teori të mundshme, pasi asnjëra prej tyre nuk është

e sukseshme në kuptimin që parashikimet e saj verifikohen në mënyrë të vazhdueshme

me një saktësi të kënaqshme. (Asnjëherë nuk është ndjerë më shumë dështimi i

shkencave shoqërore sesa në vendet socialiste, përfshi Shqipërinë, në të cilat ekonomisë

dhe shkencave të tjera marksiste iu vesh natyra e autoritetit shkencor, pa asnjë provë

empirike. Rezultati tashmë është i njohur: asgjë shkencore, gjithshka utopike.)


Ky kufizim apo vështirësi që ndeshin shkencat shoqërore ka të bëjë me faktin që ato

trajtojnë sjelljen e njerëzve. Çështja që shtrohet në rastin e tyre është: përderisa njerëzit

përgjigjen në një mori mënyrash të ndryshme, a është e mundur të testohen teoritë e

shkencave shoqërore? Ndryshe nga shkencat natyrore, problemi kryesor që ndeshin

shkencat shoqërore në drejtim të testimit është pamundësia apo pavolitshmëria për të

realizuar eksperimente të kontrolluara me qëllim mbledhjen e fakteve të nevojshme për

të provuar teori të caktuara. Në shkencat natyrore është relativisht i lehtë

eksperimentimi dhe izolimi i faktorëve që nuk janë objekt i hetimit. Kështu, për

shembull nëse fizikantët duan të studiojnë forcën e gravitetit ata e kanë të lehtë të

izolojnë ndikimin e ajrit duke krijuar një ambjent në vakum në të cilin rënia lirë e

objektit nuk ndikohet nga rezistenca e ajrit. Po kështu nëse duan të gjykojnë nëse ligjet e

aerodinamikës dhe të gravitetit janë të sakta mjaftojnë që në bazë të tyre të ndërtojnë një

mjet fluturues bazuar mbi këto ligje dhe të provojnë nëse ai mund të fluturojë.

Por sipërmarrja është shumë e ndryshme për teoritë që kanë të bëjnë me sjelljen

njerëzore. Izolimi i faktorëve apo ndikimeve që nuk janë objekt i hetimit, të tilla si për

shembull faktorët shpirtërorë, psikologjikë, karakterialë, historikë, kulturorë, etj. është

shumë i vështirë në mos i pamundur. Për të kuptuar rëndësinë e nevojës së kontrollit

për të provuar vërtetësinë e teorive të ndryshme, mjafton të sjellim një shembull

domethënës. Aristoteli argumentoi se trupa të ndryshëm bien me shpejtësi të ndryshme

nga e njëjta lartësi (trupat e rëndë më shpejt se ata të lehtë). Ky konkluzion përputhej

me atë që vëzhgohej në praktikë (sejcili mund të hedhë një njëkohësisht një copë letër

dhe një gur nga e njëjta lartësi dhe do të vërejë që guri e arrin tokën më shpejt). Po

ashtu ky konkluzion përputhej me intuitën njerëzore dhe në këtë kuptim dukej i

llogjikshëm (në mënyrë intuitive apo llogjike të gjithë mendojmë që një objekt i

stërmadh, të themi prej 100 tonësh, duhet të bjerë më shpejt se një objekt prej vetëm 2

gramësh). E megjithatë Aristoteli qe i gabuar (gabim si i intuitës ashtu edhe vëzhgimit


empirik.) U deshën eksperimentet e kontrolluara në vakum (pra, izolimi i ndikimit të

ajrit) për të kuptuar se nxitimi i shpejtësisë nën veprimin e tërheqjes gravitacionale

është i njëjtë për të gjithë objektet pavarsisht peshës së tyre.

Të ndeshur me një pamundësi apo vështirësi të tillë, shkencat shoqërore mbështeten

kryesisht në faktet “e gatshme” që ofron bota dhe në përdorimin e proçedurave të

sofistikuara statistikore për të provuar konkluzionet e tyre (të cilat duhet t’i keni

studiuar në lëndët rreth metodave të kërkimit shkencor ndaj nuk po zgjatem këtu).

Kështu, për shembull treguesit apo faktorët e ndryshëm ekonmike, si çmimet, kostot, etj

ndryshojnë herë pas here dhe duke përdorur teknikat statistikore parashikimet teorike

mund të testohen me rezulatet e botës reale. Pa dyshim, këto metoda “testimi” kanë

kufizime të theksuara, por ato sidoqoftë ofrojnë mënyrën më të mirë të mundshme për

të gjykuar mbi vërtetësinë e pohimeve mbi sjelljen njerëzore dhe fenoment shoqërore.

Në dekadat e fundit, shkencat shoqërore janë bazuar gjithnjë edhe më shumë edhe në

një metodë tjetër, atë të eksperimentit. Të parët qene ekonomistët të cilët që nga vitet

1950-të janë mbështetur gjithnjë e më shumë në eksperimente laboratorike për të

provuar teoritë e tyre në një sërë nënfushash të ekonomisë. Në këto eksperimente,

individë të ndryshëm sillen në laboratore për të parë si reagojnë ata në situata të

caktuara, nën rregulla të ndryshme. Këto situata krijohen duke stimuluar në laborator

(për aq sa është e mundur) kushte të ngjashme me ato që ndeshen në jetën reale.

Situatat laboratorike mundësojnë kontrollin e faktorëve të caktuar dhe ndryshimin e

faktorëve nën hetimin të cilat nuk mund të kontrollohen apo ndryshohen në jetën reale.

Kështu, ekonomistët nuk mund të ndryshojnë çmimet, kostot apo të ardhurat në treg

për të farë efektin që sejcili prej këtyre ndryshimeve mund të ketë tek faktorë të tjerë

apo tek sjellja e konsumatorit, kurse në situatat e stimuluara në laborator kjo gjë është e

mundur. Këto eksperimente kanë mundësuar kuptimin më të mirë të sjelljes dhe


dukurive ekonomike, duke konfirmuar teori të ndryshme apo duke vënë në dyshim

apo duke rrëzuar të tjera.

Megjithatë laboratorët nuk mund të përsërisin të të gjitha bashkëveprimet ekonomike

apo shoqërore dhe edhe kjo metodë testimi ka kufizime serioze megjithëse mund të

duket si më e besueshme. Në një mori rastesh është vertetuar se pavarsisht afërsisë së

kushteve laboratorike me ato të jetës reale, jo rrallë njerëzit sillen ndryshe në kushtet

laboratorike dhe ndryshe në rrethana reale.

Për të kompensuar për këto të meta dhe për të rritur besueshmërinë e teorive të tyre,

shumë studiues të shkencave shoqërore, veçanërisht ekonomistët, zakonisht nuk

përpiqen të parashikojnë sjelljen e një individi të caktuar. Ata përqëndrohen në sjelljen e

përgjithshme të një numri të madh individësh (ndonëse në shumë raste ata flasin për

individin). Në këtë mënyrë ata mund të pretendojnë që edhe nëse nuk janë në gjendje të

parashikojnë sjelljen e çdo individi ata bëjnë një punë të mirë në parashikimin e sjelljes

mesatare të njerëzve.

Duke përmbledhur këto komente, mund të themi se pavarësisht përparimeve të mëdha

që janë bërë në fushën e metodave të ndryshme për hetimin e sjelljes dhe dukurive

shoqërore, përsëri shkencat shoqërore nuk kanë mundur ende të arrijnë standartet e

nevojshme për tu konsideruar si shkenca të besueshme dhe me aftësi shpjeguese e

parashikuese. Një shëmbull i kohëve të fundit nga fusha e ekonomsië shërben për ta

ilustruar këtë konkluzion. Ndeshur me krizën ekonomike financiare, Presidenti i SHBA-

ve, Barack Obama, propozoi si rrugëdalje nga kriza një paketë masash stimuluese,

kryesisht rritjen e financimeve publike dhe investimeve publike në ekonomi. Katër

ekonomistë të shquar amerikanë, fitues të Çmimit Nobel në ekonomi, James Buchanan,

Edward Prescott, Vernon Smith dhe Gary Becker (ky i fundit një ndër mbështetësit dhe
kontribuesit kryesorë të Teorisë së Zgjedhjes Racionale) iu kundërvunë kësaj politike

duke argumentuar se teoria ekonomike e ka bërë të qartë se këto ndërhyrje nuk mund

të përmirësojnë ecurinë e ekonomisë dhe do të ishin kur e gabuar për krizën. Dy

ekonomistë të tjerë, Joseph Stigliz dhe Paul Krugman, gjithashtu fitues të Çmimit

Nobel, e përkrahën këtë politikë me shumë entuziazëm duke i bazuar edhe ata

argumentat e tyre gjithashtu mbi teoritë e provuara ekonomike! Kjo ndodhi të kujton

shakanë e vjetër se ekonomia është fusha e studimit në të cilën dy persona marrin

sëbashku Çmimin Nobel duke thënë saktësisht gjëra të kundërta me njëri tjetrin (në

fund të fundit jo dhe aq shaka pasi ekonomisti socialist Gunnar Myrdahl dhe

antisocialisti më i madh i Shekullit XX, Friedrich Hayek, ndanë Çmimin Nobel në

Ekonomi në vitin 1974).

***

Pas këtij sqarimi mbi kufizimet e ndjeshme të shkencave shoqërore, mund të mendoni

që veprimi im është absurd pasi mund të mendoni me të drejtë se është është e

cuditshme që fillimisht t’ju mbush mendjen që nuk ka një bazë të shëndoshë për të

gjykuar vërtetësinë e teorive që do studiojmë në këtë klasë dhe pastaj t’ju kërkoj t’i

studioni këto teori!

Në fakt, komentet e mësipërme i kam bërë në rradhë të parë pasi mendoj se është e

nevojshme që të dini që në fillim kufizimet e dijes apo teorive që trajtojmë. Së dyti,

njohja e këtyre kufizimeve të shkencave shoqërore është e nevojshme pasi një pjesë e

mirë e argumentave pro dhe kundër Teorisë së Zgjedhjes Racionale dhe Teorisë së

Lojrave mbështeten pikërisht mbi aftësinë apo paftësinë e tyre për të shpjeguar dhe

parashikuar sjelljen njerëzore në realitet apo në eksperimente të ndryshme laboratorike.

Për të krijuar një gjykim mbi këto argumente pro dhe kundër (te cilat do t’i shqyrtojmë
rast pas rasti) është e nevojshme të kuptoni se edhe kundërshtitë ndaj këtyre teorive

vuajnë nga të njëjtat vështirësi dhe probleme.

Së fundimi, duhet të theksoj se pavarësisht mangësive të tyre, në kuptimin e vërtetësisë

shkencore, dijet e ofruara nga shkencat shoqërore nuk mund të konsiderohen të

pavlefshme apo të panevojshme. Edhe pse ato ofrojnë rrallë shpjegime të provuara

shkakësore, dijet e shkencave shoqërore kontribojnë në përmirësimin e

këndvështrimeve, orientimit, intuitës etj për kuptimin e dukurive të caktuara.

Alternativa do të ishte të orientoheshim në errësirë totale.

You might also like