You are on page 1of 5

Dr.

Armend Mehmeti,
recension mbi librin e Memli Sh. Krasniqit “Shqiptarët në shtypin britanik
1774-1856”, Prishtinë:Instituti Albanologjik,2017.

Në historiografinë bashkëkohore gjithnjë e më tepër po vërehet trendi i


studimit të informacioneve të ofruara nga mediat e shtypit për ta ri-konstruktuar të
kaluarën apo për t’iu qasur një problemi të caktuar historik. Studimi dhe analizimi i
informacioneve të tilla çon në ndërtimin e një tabloje më të gjerë të një çështjeje
historike, sepse mediat pasqyrojnë perceptimin e qëndrimeve të njerëzve të kohës,
mentalitetit dhe botëkuptimit të tyre, përfshirë shtresa të ndryshme, qoftë gazetarë,
politikanë, ushtarakë, tregtarë apo njerëz të rëndomtë; pastaj ofrojnë qasje
shumëdimensionale ndaj një problemi, shpesh herë të përcjella me krahasime të
zhvillimeve ndërkombëtare; përveç tjerash ofrojnë edhe perceptimin sociologjik e
psikologjik përmes shkrimeve mbi mënyrën e jetës dhe të ushqimit, sjelljeve,
kushteve të banimit, traditave, religjionit, etj., që për një historian modern ofrojnë
lehtësi të dukshme në lidhjen logjike të ngjarjeve.
Prandaj, duke ndjekur një trend të tillë, studiuesi i historisë, Prof.i asoc. dr.
Memli Krasniqi, na sjell studimin e titulluar “Shqiptarët në shtypin britanik (1774-
1856)”. Në këtë studim, të shkruar në 407 faqe, autori bazohet plotësisht në të
dhënat e gazetave britanike, pra angleze, skoceze, irlandeze dhe uellsiane, të vjela
nga arkivat e Bibliotekës britanike, kur dihet se Britania njihet si njëra ndër vendet
e para në botë ku lindi gazetaria moderne, sidomos kur kihet parasysh se ajo
respektonte lirinë e shtypit dhe ishte jashtë ndërhyrjeve të politikës ditore, së paku
në aspektin e shkrimeve me karakter ndërkombëtar. Për t’i dhënë studimit një
karakter sa më shkencor dhe për të ofruar argumente sa më të pasura historike
autori përdor edhe burime primare nga Arkivi Kombëtar Britanik, Arkivi Osman,
Arkivi Kombëtar i SHBA-ve, Koleksione nga Biblioteka Kombëtare Amerikane,
Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë, etj. Po ashtu autori përdori një varg burimesh
dokumentare të botuara, me theks të veçantë dokumente nga provenienca bullgare,
serbe, maqedonase, turke, etj. Sigurisht që nuk mungoi analizimi i një literature të
gjerë të gërshetuar me studimin e të dhënave nga interneti.
Studimi përbëhet nga tre krerë, përmes së cilit autori është përpjekur ta
mbulojë një periudhë historike prej 82 vitesh (1774-1856), që për studiuesit e
historisë paraqet një epokë mjaft të gjatë për shkak të zhvillimeve të shumta të
karakterit politik, ushtarak, ekonomik, social, etj. Sidoqoftë, përmes viteve në fjalë
(1774-1856) autori hedh dritë në zhvillimet historike lidhur me Shqipërinë dhe
shqiptarët në kontekst ballkanik, osman dhe evropian, që nga koha e themelimit të
pashallëqeve shqiptare, forcimit dhe rolit të tyre në arenën ndërkombëtare dhe
brenda osmane, zhvillimet ndërkombëtare dhe reformat osmane, zbehja dhe
rrënimi i pashallëqeve dhe roli i shqiptarëve apo ngjarjet që përfshinë shqiptarët në
zhvillimet politike e ushtarake në relacionin Perandori Osmane – Rusi – Austri dhe
Britani, apo më mirë të themi roli i shqiptarëve në kontradiktat midis fuqive
evropiane për mbizotërim dhe ndarje të sferave të interesit. Me fjalë tjera, autori
provon të paraqesë zhvillimet politike e ushtarake midis fuqive të kohës dhe në
mënyrë të tërthortë ta reflektojë ndikimin e tyre mbi shqiptarët.
Në këtë mënyrë, në kreun I, II dhe III, gazetat britanike do të vënë në pah
ngritjen e rëndësisë së elementit shqiptar në skenën ballkanike, evropiane dhe
brenda vetë Perandorisë Osmane. Gjatë viteve 1768-1798, gazetat britanike i
kushtojnë rëndësi primare zhvillimeve politike e ushtarake midis Perandorisë
Osmane dhe Rusisë, që pashmangshëm preku edhe shqiptarët. Ishin pashallëqet
shqiptare, që kishin vetëm një varësi formale nga Porta, ato që luajtën rol kyç në
zhvillimet ruso-osmane. Mehmet Pashë Bushatliu kërcënoi Raguzën dhe kërkoi
nga ajo që t’i vë në dispozicion të Portës për të dërguar në Siri e Egjipt një ushtri të
rekrutuar me shqiptarë.Kërcënimi ndaj Raguzës dhe dërgimi i ushtrive me
shqiptarë në Siri e Egjipt padyshim që faktorizonte elementin shqiptar, si brenda
ashtu edhe jashtë Perandorisë Osmane, duke i bërë ata si një element vendimtar për
të ardhmen e Perandorisë Osmane.
Interesimi i shtypit anglez për zhvillimet në Ballkan korrespondon me
shkëputjen e SHBA-ve nga Perandoria Britanike, pasi që humbja e privilegjeve
tatimore bëri Britaninë që t’i drejtojë sytë kah Evropa, për të cilën nuk kishte qenë
aq e interesuar deri atëherë. Hartimi i një plani afatgjatë tregtar me Perandorinë
Osmane i përfshinte pashmangshëm shqiptarët në gjitha kalkulimet, prandaj ato
filluan të shkruajnë për përpjekjet e Bushatlinjëve për të krijuar një subjekt të
pavarur politik nga Perandoria Osmane. Po sipas gazetave britanike, duke tentuar
ta fitonte mbështetjen e Vjenës Mahmut Pashë Bushatliu mikpriti për një muaj një
delegacion të Vjenës, të cilët rrugës për kthim u vranë nga forcat e tij pabesisht. Ky
akt do të ndikonte në afrimin ruso-osman dhe këtu autori ofron një argument logjik
e faktik, pasi që vrasja e ndodhur në Mal të Zi ka mundur të jetë kryer nga
malazezët apo osmanët për t’ia veshur Mahmut Pashës dhe në këtë mënyrë ta
pengonte afrimin e tij me Austrinë, e si rrjedhojë edhe eliminimin e mundësisë së
krijimit të një shteti shqiptar që shkonte në kundërshtim me ambiciet malazeze dhe
me Portën.
Gazetat britanike japin informacione edhe për zhvillime tjera interesante
sikurse ishte pirateria në Adriatik. Piratët ulqinakë kishin sulmuar një anije
franceze dhe kishin kapur disa ushtarakë francezë të cilët i shitën tek Ali Pashë
Janina. Duke i vënë në shërbim të tij, ata i ndihmuan Ali Pashës në konsolidimin e
reparteve të çrregullta ushtarake, kurse një konsolidim i tillë bëri që Ali Pasha t’i
pushtojë zotërimet venedikase në Shqipëri, të cilat kishin qenë të okupuara nga
Franca. Në këtë mënyrë, në prag të shekullit të ri (1798) shqiptarët përsëri u
paraqitën faktorë në Ballkan, tani midis kontradiktave anglo-franceze për ndikim
në Mesdhe, nga ku kalonte rruga për në Lindje të Largët.
Në këtë periudhë pashallëqet shqiptare ishin fuqizuar aq shumë sa të
vendosin relacione politike me shtetet fuqi të kohës. Gazetat angleze shkruanin më
1797 mbi korrespondencën midis Ibrahim Pashë Bushatliut dhe Napoleon
Bonapartës, e ky i fundit i ishte zotuar se do t’i mbronte shqiptarët. Ishte kjo një
periudhë kur Franca kishte interesa në Adriatik dhe i shihte shqiptarët si një faktor
me rëndësi. Kjo dëshmohet nga letra që Napoleoni i dërgoi një gjenerali të tij, ku
thotë: “është në interesin tonë të forcohet ky pasha, t’i mposht kundërshtarët e tij,
të bëhet pasha i dorës së parë dhe t’i shërbej republikës. Dërgoni oficerët e
xhenios të krijoni një shtet sipas gjendjes së popullsisë dhe zakoneve shqiptare”.
Por sikurse argumenton autori, interesat personale e dinastike të pashallarëve
shqiptarë, e jo interesat etnike, në gërshetim me rrethanat ndërkombëtare,për fat të
keq ndikuan në mos realizimin e planit të Napoleonit për krijimin e një shteti
shqiptar.
Sidoqoftë, në fillim të shek. XIX shqiptarët ishin element për t’u kalkuluar,
prandaj gazetat britanike në vitin 1804 shkruanin edhe për emërimin e një konsulli
britanik në Shqipëri dhe More.
Gazetat britanike shkruanin edhe për planin ambicioz francez për ndarjen e
Evropës midis Francës, Rusisë e Austrisë. Sipas këtij plani, Shqipëria binte në
sferën franceze së bashku me Greqinë, Qipron e Kretën. Ky plan parashihte
krijimin e Shqipërisë dhe mbizotërimin e Francës në Mesdhe. Duke qenë e dëbuar
nga Adriatiku, Britania e Madhe u interesua për bashkëpunimin me pashallarët
shqiptarë (Bushatlitë dhe Ali Pashën), duke i premtuar koncesione territoriale dhe
furnizim me armatime nëse ata luftojnë kundër Francës.Pra, edhe njëherë
shqiptarët dalin në skenën ndërkombëtare si faktor me rëndësi.
Në pjesën e parë të shekullit XIX interesat dhe kontradiktat midis fuqive
evropiane që kishin të bënin me ambiciet ruse kundër Perandorisë Osmane, solli
Luftën e Krimesë (1853). Tani, shqiptarët edhe një herë do të dalin në skenë si një
faktor me rëndësi, por tani jo si subjekte politike. Formacione të ndryshme
shqiptare në kuadër të ushtrisë osmane, si ai i Mirditës me 300 ushtarë, u dërgua në
frontin e Vllahisë dhe të Danubit (1854), ndërsa një formacion tjetër me 500
shqiptar në kufi me Malin e Zi në pritje të sulmit, përveç formacioneve tjera të
rregullta ku kishte mjaft shqiptarë si në nivelin fillestar ashtu edhe atë komandues.
Krahas çështjeve politike e ushtarake, gazetat britanike jepnin të dhëna dhe
për jetën sociale, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve, për traditat ushqimore në
vise të ndryshme shqiptare, prodhimtarinë bujqësore, zejtarinë, armëtarinë, si dhe
mikpritjen shqiptare. Në interes të veçantë ishin raportimet lidhur me çështjet
mjekësore apo metodat parandaluese. Në vitin 1774 sëmundja e murtajës po
shkaktonte tmerr të vërtetë në disa vise të Perandorisë Osmane, që u manifestua me
një numër të madh të viktimave, përfshirë edhe viset shqiptare si në Shkodër,
Prishtinë, etj. Gazetat britanike shkruanin edhe për metodat shëruese në
Perandorinë Osmane, që ishin dukshëm më të avancuara se sa ato të Evropës.
Bashkëshortja e ambasadorit britanik në Stamboll i përshkruante procedurat e
vaksinimit të fëmijëve kundër lisë, një praktikë që do të bartej edhe në Britaninë e
Madhe.
Nga aspekti social gazetat britanike shkruanin edhe për dëbimin e
shqiptarëve nga Beogradi. Nën ndikimin e Rusisë principata serbe kishte siguruar
nga sulltani një ferman (1829) që lejonte shpërnguljen e popullsisë myslimane, ku
hynin edhe shqiptarët. Shumë banorë myslimanë shqiptarë ikën nga Beogradi, por
fakti tjetër qëndronte se principata serbe financonte blerjen e shtëpive të
shqiptarëve me të vetmin synim për t’i dëbuar ata. Serbët në Çupri blenë rreth 40
shtëpi të shqiptarëve.
Gazetat britanike shkruanin edhe për cilësitë e shqiptarëve si luftëtarë
besnikë, si dhe për prirjet e tyre për mercenarizëm. Mercenarë shqiptarë kishte
rekrutuar edhe Rusia cariste. Ky rekrutim me pagesë ishte i mundur vetëm në saje
të raporteve të mira midis Perandorisë Osmane dhe Francës dhe ndikimit që
Petersburgu kishte në Stamboll.
Me interes janë edhe informacionet për zhvillimet dhe kundërthëniet midis
vetë shqiptarëve. Konfliktet midis pashallarëve dhe krerëve të ndryshim, që thelbin
e kishin në luftën për pushtet e pasuri, pashmangshëm përfshinin edhe popullatën,
prandaj rreshtimi në cilindo tabor sillte fitime apo në të kundërtën persekutime. Në
këto konflikte religjioni kishte fare pak rëndësi, një pasha mysliman pa mëshirë
persekutonte myslimanët tjerë që ishin ngritur kundër tij, apo shpërblente krishterët
që kishin qenë me të.
Në pamundësi për t’i cekur gjitha të dhënat me rëndësi, me fjalët tjera
punimi ofron të dhëna të shumta me interes për studiues të fushave të ndryshme, si
historianë, gjeografë, sociologë, etnologë, etj., përmes së cilave studiues të këtyre
fushave mund t’i zgjerojnë studimet e tyre apo edhe të hapin shtigje të reja të
hulumtimit të çështjeve të caktuara historike.
Në fund, falënderoj kolegun Memli Krasniqi që opinionit shqiptar,
studiuesve të historisë, dhe historiografisë shqiptare në përgjithësi, i solli një
studim shkencor shumëdimensional.

You might also like