You are on page 1of 7

Memli Krasniqi, Instituti Albanologjik

Recesion për librin “ Mid’hat Frashëri-Vepra të zgjedhura, Vëllimi 2”,


përgatitur : Dr. Uran Butka, Tiranë: Instituti i Studimeve Historike “Lumo
Skëndo”, 2018

Vepra “ Mid’hat Frashëri-Vepra të zgjedhura”, përgatitur në disa vëllime


nga Dr. Uran Butka, është përmbledhje e shkrimeve të botuara në revistat e
njohura shqiptare të periudhës osmane dhe pas-osmane, në shtypin e huaj,
fjalime, raporte diplomatike, vepra si dhe materiale arkivore të pa botuara
më parë, të veprimtarit të njohur të Rilindjes Kombëtare, politikanit dhe
diplomatit të familjes Frashëri, Mid’hat Frashëri. Lumo Skëndo, siç njihej,
Mid’hat Frashëri në rrethet atdhetare dhe intelektuale të kohës, shumë herët
ia kishte filluar me botimin e shkrimeve nga fusha e historisë, gjuhësisë,
letërsisë e folklorit shqiptar. Në këto shkrime, ai është përpjekur, jo vetëm
për zgjimin dhe forcimin e përkatësisë kombëtare te shqiptarët, por edhe
duke kundërshtuar me argumente tezat antishqiptare të shteteve ballkanike
dhe përkrahësve të tyre, në rend të parë të Rusisë cariste, por edhe politikën
zyrtare të Perandorisë Osmane, e cila në emër të unitetit perandorak,
konsideronte ende, sikur në periudhën mesjetare, se religjioni është element
primar identitar, në vend të atij etnik. Për më tepër, Porta e Lartë, e cila, që
me reformat e filluara në gjysmën e parë shekullit të XIX, e kishte të qartë
domosdoshmërinë e ndryshimeve, ndiqte një politikë të brendshme
kundërthënëse. Kështu, Perandoria Osmane, duke filluar që me reformat e
shpallura më 1856, kishte nisur të lejonte që në kuadër të Bashkësisë së
krishterë ortodoksë apo Miletit Rum, organizimin e arsimit dhe kulturës në
gjuhët kombëtare të popullsisë serbe, bullgare dhe greke, por jo edhe për
kombet, që me shumicë i takonin besimit islam, të cilët vazhdonin të
konsideroheshin pjesë e tërësisë së bashkësisë islame. Kështu, Mid’hat
Frashëri, në artikullin “Betim” do të polemizonte me ata, të cilët shqiptarët i
konsideronin si “turq”, vetëm ngase ata në masë ishin islamizuar. Për më
tepër, ai shtronte pyetjen: Pse atëherë francezët, italianët ose rusët, grekët,
serbët, nuk quhen një popull, sikurse që ata konsiderojnë si “turq” pjesën e
islamizuar të shqiptarëve, arabëve, sllavëve dhe grekëve të islamizuar? Pra,
këto vende, kërkonin të drejtat qytetare, fetare dhe etnike për popullsitë e
krishtera ortodokse të Perandorisë Osmane dhe në anën tjetër përkrahin dhe
nxisin politikat konzervative të Portës së Lartë, kur është fjala te të drejtat
gjuhësore dhe kombëtare të popullsive myslimane brenda Perandorisë
Osmane. Kjo politikë kundërthënëse e elitës konzervative osmano-islame,
siç tërhiqte vërejtjen edhe Mid’hat Frashëri dhe siç do të vërtetonte koha, do
të kishte pasoja të thella negative për kombin dhe shtetin shqiptar. Prandaj
në përpjekje për të rilindur dhe forcuar ndjenjën kombëtare të shqiptarëve,
por edhe për të ndikuar në ndryshimin e politikës së brendshme vetëvrasëse
të Portës së Lartë, rilindësit tanë, në mesin e tyre edhe Mid’hat Frashëri,
filluan një aktivitet të theksuar kulturor, politik e diplomatik. Rrjedhimisht,
shkrimet e tij, do të përfshinin periudha historike që nga lashtësia, duke
filluar me Pellazgët, Ilirët dhe heronjtë si: Aleksandri i Madh, Pirro, për të
arritur kulminacionin me Gjergj Kastrioti Skënderbeun, i cili është figura
qendrore, rreth të cilit ndërtohej ideali kombëtar shqiptar. Po kaq figura të
lartësuara janë edhe figurat e Kara Mahmud Pashë Bushatliut dhe e Ali
Pashë Janinës, e sidomos periudha e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881), ku
mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, babai i Mid’hat Frashërit dhe ku elita
shqiptare për herë të parë artikuloi kërkesat e saja politike. Natyrisht, në
shkrimet e tij, Mid’hat Frashëri, do të kritikojë edhe elitën konzervative
shqiptare, e cila nuk bënte aq sa duhej në kërkesat për autonomi të
Shqipërisë, si mënyra e vetme e cila do t’i mundësonte asaj forcimin dhe
mbijetesën kombëtare në rrethin armiqësor të Ballkanit.

Gjithashtu, duke kundërshtuar pretendimet territoriale të shteteve fqinje, në


artikullin “Vendi Ynë”, në kufijtë e Shqipërisë, ai përfshinte një territor që
fillonte në jug nga Lumi i Nartës, në veri Mali i Zi, në verilindje Jeni Pazari
dhe Serbinë, lindje gjer në mëngët e Selanikut. Pra, sipas Mid’hat Frashërit,
Shqipëria kishte ndërmjet 70-80.000 km(2) dhe 2.5 milionë banorë, të dhëna
që i mbështeste në regjistrimet osmane, por edhe në të dhënat statistikore të
huaja, duke filluar nga ato bullgare, franceze, etj. Mjerisht, Mid’hat Frashëri,
duke parë procesin e institucionalizimit kulturor serb e bullgar në Vilajetin e
Kosovës, e cila shumë herë mbështetej edhe nga elita e korruptuar osmane,
në artikullin “Ulqini”, shprehte frikën se këto vise, pas disa viteve do të
grabiteshin nga këto shtete, ashtu siç edhe do të aneksoheshin më 1912. Pra,
Mid’hat Frashëri, është ndër intelektualët e parë, të cilët qartësisht shihnin
humnerën drejt së cilës po gremisej Perandoria Osmane, e së bashku me të
edhe shqiptarët.

Në jetëshkrimin kushtuar “Naim Bej Frashëri”, Lumo Skëndo apo Mid’hat


Frashëri, do të potencojë edhe njëherë rëndësinë historike të Lidhjes së
Prizrenit (1878-1881), shikuar edhe nga një këndëvështrim tjetër: Faktin, që
gjatë pothuaj gjithë shek. XIX, të huajt me nocionin “Shqipëri”, kuptonin
kryesisht zonat në veri dhe në jug të lumit të Shkumbinit, pra ata
konsideronin si Shqipëri një hapsirë të vogël, ku më vonë edhe do të
pranohej ekzistenca e shtetit shqiptar, duke përjashtuar më shumë se
gjysmën e territorit dhe popullsisë shqiptare. Mirëpo “Kriza Lindore (1875-
1881)”, në anën tjetër, faktoi publikisht se zona shqiptare ishin edhe
Mitrovica, Prishtina, Gjilani, Janina e Ulqini. Më nuk mund të mohohej
karakteri etnik shqiptar i këtyre viseve, përpos me vazhdimin e mitimizimit
të historisë për kinse popullimin e këtyre zonave nga shqiptarët vetëm pas
“shpërnguljes së madhe të serbeve” më 1689-90. Ndonëse Kriza Lindore e
viteve 1875-81 i traumatizoi shqiptarët, duke i shpërngulur nga zona e
Sanxhakut të Nishit dhe duke humbur qytetin e Ulqinit, ajo edhe i zgjoi
vrullshëm nga gjumi. Kështu, rreziku i nxiti shqiptarët të fillojnë një
aktivitet kulturor më të organizuar, të cilën ata e kurorizuan me themelimin e
Shoqërisë së Stambollit(1879). Bile fillimisht për alfabetin e ri me shkronja
latine dhe greke ishte i interesuar edhe vetë Sulltan Abdyl Hamiti II (1876-
1909), të cilit nëpërmjet rojatarëve të shumtë të tij shqiptar, iu ishte dorëzuar
edhe abetarja. Pra, ky sulltan që fliste gjuhën shqipe dhe që fillimisht e
mirëpriti jo vetëm abetaren por ishte edhe pro autonomisë shqiptare, shumë
shpejt do të ndryshonte mendjen, duke urdhëruar ndalimin e qarkullimit të
librave në gjuhën shqipe.

Ndërsa lidhur me dukurinë e fluiditetit të identitetit kombëtar në Ballkan, që


shumëherë ishte më shumë i natyrës politike se sa praktik, Mid’hat Frashëri,
do të theksonte rastin e Bullgarisë, për të cilët edhe princi i parë bullgar,
gjermani Aleksandri (I) De Battenberg, do të deklaronte” kemi bërë
Bullgarinë tani na duhet të bëjmë bullgarët”. Në anën tjetër, përkundër
proceseve evidente në shtet-ndërtimet sipas parimit etnik, të cilat i ishin
imponuar për popullsitë e krishtera ortodokse vetë Perandorisë Osmane, në
rrethet politike osmane, vazhdonte të dominonte koncepti identitar mesjetar,
sipas së cilës religjioni ishte faktor përcaktues, parim ky që pamundësonte
zhvillimin dhe kultivimin e identitetit etnik të popullsive me shumicë
myslimane, në këtë rast edhe të shqiptarëve.

Lumo Skendo apo Mid’hat Frashëri në veprën e tij “Pritmi i Shqipërisë”,


botuar në Sofje më 1915, me të drejtë do të promovonte konceptin protestan
mbi individin e shkolluar dhe të brymosur me cilësi morale, si forcë lëvizëse
e një shoqërie dhe kombi. Rrjedhimisht, një nga arsyet e prapambetjes së
shqiptarëve, sipas tij tij, me të drejtë ishin mosnjohja e së kaluarës dhe
mungesa e institucioneve arsimore kombëtare. Në këtë frymë, ai do të sjellte
para lexuesit shqiptar, një listë me emra të shqiptarëve që kishin kontribuar
në jetën politike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake të Perandorisë
Osmane. Kështu, sipas librit Hadikat-Yl-Zera (Kopshti i Vezirëve), të vitit
1721 dhe të ribotuar më 1853, i pari Sadriazem apo Kryevezir shqiptar në
kohën e Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm ishte Kara Ahmet Pasha, duke
vazhduar me 17 të tjerë. Në të vërtetë ishin rreth 39 Kryevezir shqiptarë të
Perandorisë Osmane, duke filluar me Gjedik Ahmet Pashën (1475-79) e deri
te Kryeveziri i fundit, Demat Ferit Pasha (1919-1920). Pastaj, përpos
shtetarëve dhe ushtarakëve shqiptarë, Mid’hat Frashëri në shkrimet e tij,
përmend arkitektët si: Ahmed Aga Biçakçi (Elbasan), arkitekti i xhamisë
Sulltan Ahmed në Stamboll; Arkitekti Sinan (rrethi i Tepelenës), projektues
i xhamisë Sylejmanije në Stamboll dhe xhamisë Selimije në Ederne.

Ndërsa gjatë shekullit të XIX, në kohën e lindjes së mitit serb mbi Kosovën,
ai informon se termi “Stara Srbija” për herë të parë ka filluar të përdoret
vetëm në vitin 1845 kur botohet “Harta e Principatës së Serbisë” të Zhan
Bugorskit, kurse në burimet serbe autori është Jovan Bugarski. Mid’hat
Frashëri, sidomos, kritikon rëndë, zakonin osman e cila deri në fund të
sundimit të saj në Ballkan, popullsinë e regjistronte sipas kriterit fetar edhe
atëherë kur ishte e detyruar që serbët, bullgarët dhe grekët t’i regjistronte, jo
vetëm në kuadër të bashkësisë së krishterë ortodokse, por edhe si grupe
etnike. Kjo mënyrë e regjistrimit linte shumë hapësirë për manipulime mbi
përkatësinë etnike të popullsisë shqiptare, e cila i takonte të tri besimeve.
Kështu, Mid’hat Frashëri, si shembull merrte Vuçitërnën, Pejën, ku ai kishte
takuar shqiptarë të krishterë ortodoks, që në statistika figurojnë si serb; apo
fshatrat ortodokse të fushës së Shkupit, në të cilat flitej gjuha shqipe dhe ku
prifti ortodoks ishte në varësi të Ekzarkatit Bullgar, për pasojë edhe
popullsia deklarohej si bullgare; apo fshatrat ortodokse në Mal të Zi, si
Rahoja me 250 shtëpi, në të cilat dikur flitej shqip; apo për fisin shqiptar të
Kuçit, me 700 shtëpi, të cilat ndërkohë ishin sllavizuar. Po kaq logjike janë
edhe shpjegimet e tij në pyetjen se pse Lëvizja Kombëtare Shqiptare, herë-
herë, merrte qëndrime armiqësore kundër Evropës? Ngase, sipas tij dhe të
huajve, kjo ndodhte, sepse Evropa ishte shndërruar në mbrojtëse dhe
promovuese e interesave të kombeve sllave në Ballkan, me të cilët shqiptarët
ishin në armiqësi.

Mid’hat Frashëri, në shkrimet e tij, pos me të kaluarën dhe problemeve


aktuale të shqiptarëve, ka trajtuar edhe ardhmërinë e Shqipërisë politike.
Ndonëse, thekson ai, nga Shqipëria ishin shkëputur tokat më pjellore të
Kosovës, të Shkupit, të Manastirit, ai sugjeronte që shteti shqiptar duhej
tharë kënetat si ajo e Durrësit, Maliqit, Nartës,etj., projekte që kryesisht u
përfunduan pas Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, ndonëse, ai e kishte të
qartë problemin e funksionalizimit të një shteti të vogël, të ndarë, të varfër
dhe të rrethuar me shtete armiqësore, Mid’hat Frashëri, shkruante mbi degët
ekonomike që mund të fuqizoheshin brenda kësaj Shqipërie politike. Kështu,
ai me të drejtë parashikonte se Shqipëria për prodhimin e rrymës elektrike,
përpos thëngjillit, mund të shfrytëzonte lumenjtë për të ndërtuar
hidrocentrale.

Në fushën e bujqësisë, ai sugjeronte që kodrat e zhveshura të mbillen me


ullinj dhe se në kohë paqeje Shqipëria, jo vetëm do të arrinte të siguronte
vetë ushqimin, por se shqiptarët në Shqipërinë politike edhe do të mund të
shtoheshin për dy-tri herë. Shikuar, nga kjo distancë kohore, shumë nga
parashikimet e tij edhe janë realizuar, duke filluar nga tharja e kënetave të
shumta, ndërtimit të hidrocentraleve, nxjerrjes dhe përpunimit të naftës; në
fushën e arsimit, gjithashtu është bërë përparim i madh; popullsia po kështu
është shtuar. Natyrisht janë bërë edhe dështime, ashtu siç edhe ka tërhequr
vërejtjen Mid’hat Frashëri, sidomos në fushën e investimeve në industrinë e
rëndë dhe të një ekonomie të tipit të mbyllur, por duhet thënë edhe të
imponuar nga rrethanat ndërkombëtare të kohës. Ndërsa një nga
parashikimet e tij, e cila kishte të bënte me planin që Shqipëria të bëhej rrugë
transit për tregtinë ndërkombëtare deri në Detin e Zi, kohëve të fundit kjo
ide me rëndësi strategjike për shqiptarët ka filluar gradualisht të jetësohet.
Si përmbyllje të këtij vlerësimi do të citoja Mid’hat Frashërin: “Një Shqipëri
e bashkuar do të ishte pengesë për ndërhyrjen e mëtejshme nga Veriu dhe
Gadishulli Ballkanik do të mbetej në duart dhe kontrollin e popujve që
banojnë aty.”

You might also like