You are on page 1of 7

Nr.11243-00383-00-2008 i Regj.

Themeltar
Nr.00-2012-1817 i Vendimit (371)
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Besnik Imeraj Kryesues


Ardian Nuni Anëtar
Guxim Zenelaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
Edmond Islamaj Anëtar

në seancën gjyqësore të datës 12.07.2012 mori në shqyrtim çështjen civile, që u përket


palëve:

PADITËS: MUSTAFA SHIMA, prezent i papërfaqësuar


me avokat
I PADITUR: ALI KAÇA, në mungesë

OBJEKTI:
Sigurimi i padisë.
Vënien në sekuestro e apartamentit të banimit pronë e tij.
Kthimin e shumës prej 600.000 lekë të përfituara me mashtrim
në firmat “Vefa” dhe “Kamberi” dhe interesit të munguar
nga mosderdhje dhe derdhja me vonesë e shumës së dhënë.
Baza Ligjore: Nenet 121 dhe 445 e vijues të K.Civil.
Neni 202 i K.Pr.Civile.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5654, datë 25.10.2006, ka


vendosur:
Rrëzimin e kërkesë padisë për shkak të parashkrimit të padisë.

Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1401, datë 16.11.2007, ka vendosur:


Lënien në fuqi të vendimit nr.5654, datë 25.10.2006 të Gjykatës së Shkallës së
Parë Tiranë.

Kundër këtij vendimi ka bërë rekurs paditësi Mustafa Shima, me të cilin kërkon
prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe të vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe
dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, për këto shkaqe:
- Vendimet janë rrjedhojë e mosrespektimit dhe zbatimit të keq të ligjit.
- Gjykatat kanë përcaktuar gabim momentin e marrjes dijeni të përvetësimit pa shkak.
- Në analizë të provave të dosjes gjyqësore rezulton se veprimet juridike me firmat
piramidale janë bërë nga i padituri dhe jo nga paditësi dhe dijenia për përvetësimin pa
shkak ka lindur në vitin 2004, ndaj padia është brenda afatit e nuk është parashkruar.

1
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Nuni; dhe si bisedoi çështjen në tërësi,

VËREN
Rrethanat e çështjes
1. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësi Mustafa Shima dhe i padituri
Ali Kaçi janë në marrëdhënie të posaçme; ata kanë lidhje krushqie, pasi paditësi i ka dhënë
vajzën djalit të paditurit.
2. Paditësi Mustafa Shima, nisur nga këto marrëdhënie krushqie, më datë 25.08.1996
i ka dhënë të paditurit Ali Kaçi 2.400.000 lekë për t’i derdhur në shoqërinë huamarrëse
“Vefa” SHPK.
2.1. Ka rezultuar se nga kjo shumë i padituri Ali Kaçi ka futur në Shoqërinë “Vefa”
SHPK 1.450.000 lekë më datë 27.08.1996, ndërsa pjesën tjetër prej 992.000 lekë e ka
mbajtur dhe e ka derdhur më datë 27.12.1996, pasi ka tërhequr dhe dy këste.
3. Përsëri, paditësi Mustafa Shima, më datë 20.11.1996, i ka dhënë të paditurit Ali
Kaçi edhe një shumë prej 500.000 lekësh, për t’i futur në Shoqërinë Huamarrëse “Kamberi”
SHPK. I padituri ka futur në Shoqërinë Huamarrëse “Kamberi” SHPK 350.000 lekë dhe
pjesën prej 150.000 lekë e ka mbajtur.
4. Rezulton se veprimet juridike të lidhjes së kontratës së huasë me shoqëritë
huamarrëse, të kryera ndërmjet paditësit Mustafa Shima dhe këtyre shoqërive janë kryer në
vitin 1996. Në këto veprime paditësi Mustafa Shima është përfaqësuar nga i padituri Ali
Kaçi.
5. Paditësi Mustafa Shima, me pretendimin se nëpërmjet kryerjes së këtyre
veprimeve, i padituri duke mos derdhur shumën e dhënë prej tij në të njëjtën kohë dhe duke e
mbajtur atë, derdhur me vonesë, si dhe duke tërhequr këstet për të cilat ishte rënë dakord të
mos tërhiqeshin, pasuria e të paditurit është shtuar pa të drejtë, me padinë e datës 23.11.2005,
bazuar në nenet 121, 445 e vijues të Kodit Civil dhe nenit 202 të Kodit të Procedurës Civile,
ka kërkuar: “1. Sigurim i padisë. Vënie sekuestro e apartamentit të banimit pronë e tij.
2. Kthimi i shumës prej 600.000 (gjashtëqind mijë) lekë të përfituara pa shkak me mashtrim
në firmat “Vefa” dhe “Kamberi” dhe interesit të munguar nga mos derdhja dhe derdhja me
vonesë e shumës së dhënë”.
5.1. Paditësi ka pretenduar se është vënë në dijeni të veprimeve të të paditurit në vitin
2004, kohë në të cilin ai ka tërhequr lekët e derdhura në shoqëritë huamarrëse pranë bankave
përkatëse të nivelit të dytë.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5654, datë 25.10.2006, ka
rrëzuar padinë “...për shkak të parashkrimit…” të saj.
6.1. Në rrëzimin e padisë gjykata arsyeton: - “Padia për fitimin pasuror pa drejtë
sipas nenit 115/dh të K.Civil parashkruhet brenda 3 vjetëve. Afati i parashkrimit të kësaj
padie fillon të ecë nga dita që personi i dëmtuar ka ditur ose duhej të dinte për fitimin ose
kursimin pa shkak që ka realizuar personi përkatës. Nga interpretimi i kësaj dispozite
arrijmë në përfundimin se afati i parashkrimit të padisë ka filluar të ecë që nga dita që i
padituri nuk ka futur të gjithë shumën e parave të dhëna në firmat piramidale, me datë
25.08.1996 dhe me datë 20.11.1996, sepse që nga kjo ditë pasuria e paditësit është pakësuar
pa të drejtë”; - “Paditësi, konform nenit 121 të K.Pr.Civile, ishte i detyruar që nga kjo ditë
që të dinte për kursimin pa të drejtë të kryer nga i padituri Ali Kaça, sepse që nga kjo ditë ka
ardhur pasoja e veprimit juridik, kursim i pa drejtë i pasurisë së të paditurit në dëm të
pasurisë së paditësit”; -“Kështu, padia e paditësit Mustafa Shima për kërkimin e parë është
parashkruar me datë 25.08.2000, ndërsa për kërkimin e dytë është parashkruar me datë
2
20.11.2000. Parashkrimi i padisë konform nenit 125 të K.Civil u invokua nga paditësi.
Kështu që gjykata duhet ta marrë atë në konsideratë. Duke pasur në konsideratë sa është
argumentuar më sipër, gjykata në vështrim të neneve 115/dh, 121 dhe 125 të K.Civil arrin në
përfundimin se padia e paditësit Mustafa Shima është parashkruar”.
7. Me të njëjtin arsyetim, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1401, datë
16.11.2007, ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
8. Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs paditësi Mustafa Shima,
me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe të vendimit të gjykatës së
shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, për
shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Ligji i zbatueshëm
9. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar
9.1. Neni 16 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me
dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej
saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me
mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
Megjithatë, gjykata nuk mund të ndryshojë bazën juridike të padisë pa kërkesën e
palës”.
9.2. Neni 126§2 i K.Pr.Civile: “Vendimi përfundimtar, si dhe vendimet që i japin fund
procesit gjyqësor civil të parashikuara prej nenit 127 të këtij Kodi jepen në “Emër të
Republikës” dhe përkatësisht duhet të përmbajë bazën ligjore mbi të cilën bazohet
zgjidhja e mosmarrëveshjes, analizën e provave dhe mënyrën e zgjidhjes të saj”.
9.3. Neni 310/II i K.Pr.Civile: “Në pjesën përshkruese-arsyetuese duhet të
përmenden: 1) rrethanat e çështjes, ashtu siç janë konstatuar gjatë gjykimit, dhe
përfundimet e nxjerra nga gjykata, 2) provat dhe arsyet në të cilat mbështetet
vendimi, 3) dispozitat ligjore në të cilat bazohet vendimi”.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
10. Se rekursi i paraqitur nga paditësi Mustafa Shima përmban shkaqe nga ato të
parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që motivojnë cenimin e vendimeve
të gjykatave të faktit.
11. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen
gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve,
vendimeve të gjykatave të faktit, si dhe shkaqeve të parashtruara në rekurs, arrin në
përfundimin se vendimi nr.1401, datë 16.11.2007 i Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin
është lënë në fuqi vendimi nr.5654, datë 25.10.2006 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë,
janë rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit dhe për këtë shkak duhet të prishen dhe çështja të
dërgohet për rishqyrtim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
12. Gjykata e shkallës së parë, pa marrë në shqyrtim themelin e çështjes, referuar
neneve 115/dh dhe 121 të Kodit Civil, ka arritur në përfundimin se padia e paditësit është
parashkruar. Kjo gjykatë arsyeton se “...afati i parashkrimit të padisë ka filluar të ecë që nga
dita që i padituri nuk ka futur të gjithë shumën e parave të dhëna në firmat piramidale, me
datë 25.08.1996 dhe me datë 20.11.1996, sepse që nga kjo ditë pasuria e paditësit është
pakësuar pa të drejtë” dhe se paditësi “...ishte i detyruar që nga kjo ditë që të dinte për
kursimin pa të drejtë të kryer nga i padituri Ali Kaça, sepse që nga kjo ditë ka ardhur pasoja
e veprimit juridik, kursimi i pa drejtë i pasurisë së të paditurit në dëm të pasurisë së
paditësit”.

3
12.1. Gjykata e shkallës së parë, në kundërshtim me kërkesat e normave procedurale
civile, nuk ka përcaktuar natyrën juridike të shkakut të lindjes së mosmarrëveshjes në
gjykim.
12.2. Gjykata e shkallës së parë, pa sqaruar një sërë rrethanash ligjore që kanë të
bëjnë me natyrën juridike të shkakut të lindjes së mosmarrëveshjes, si dhe që lidhen me
gjykimin e çështjes e që kanë të bëjnë me elementë thelbësorë të padisë objekt shqyrtimi, të
cilat kërkojnë përgjigje edhe nga pretendimet e palëve, gabon kur arrin në konkluzionin se
ndodhemi përpara një padie që është parashkruar.
13. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga gjykata e apelit, e cila, ndonëse kishte
detyrimin ligjor t’u jepte përgjigje pretendimeve të parashtruara në ankim, duke mos
përcaktuar drejt natyrën juridike të shkakut për të cilën ka lindur mosmarrëveshja objekt
gjykimi dhe duke mos evidentuar mangësitë e gjykimit në shkallë të parë, ka anashkaluar
rregullimet e bëra në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin Civil.
13.1. Kështu, sikurse gjykata e shkallës së parë edhe gjykata e apelit, a priori, pa
përcaktuar shkakun e padisë dhe pa e analizuar gjendjen konkrete të faktit me normat ligjore
ku paditësi themelon të drejtën e pretenduar të cenuar nga veprimet e të paditurit, ka arritur
në konkluzionin se padia është parashkruar dhe për rrjedhojë ka lënë në fuqi vendimin e
gjykatës së shkallës së parë, që ka rrëzuar padinë.
14. Ky Kolegj e gjen me vend të parashtrojë se procesi civil ka për qëllim zhvillimin
e një gjykimi që konsiston në vlerësimin nga pikëpamja e së drejtës të një fakti ose një grup
faktesh, por domosdoshmërisht këto të fundit para se të vlerësohen nga gjykata duhet të
vërtetohen. Në të kundërt, sikundër është rasti konkret, vendimi nuk është i argumentuar dhe
as i bazuar në ligj.
14.1. Nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm vetëm vlerësimi i prapësimeve të
palës së paditur, sipas së cilës padia është ngritur tej afatit ligjor tre vjeçar, për të arritur në
konkluzionin se padia e palës paditëse është parashkruar. Ndër kërkesat themelore që duhet
të plotësojë vendimi gjyqësor janë ligjshmëria dhe argumentimi i tij; elementë ligjorë këto që
iu mungojnë vendimeve të gjykatave të faktit.
15. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në analizë juridike të vendimeve të gjykatave
dhe të materialeve të dosjes gjyqësore, vlerëson se gjykatat kanë gabuar kur padinë e
paditësit e konsiderojnë si padi për përfitim pasuror pa të drejtë, begatim pa shkak,
parashikuar nga nenet 655-658 të Kodit Civil.
16. Ka rezultuar se paditësi i ka dhënë të paditurit vlera monetare respektive, sikurse
pranohet dhe nga gjykatat e faktit, që ky i dyti t’i derdhte ato pranë Shoqërive Huamarrëse
“Vefa” SHPK dhe “Kamberi” SHPK. Paditësi Mustafa Shima, bazuar në nenet 121, 445 e
vijues të Kodit Civil, me pretendimin se i padituri nuk i ka derdhur këto vlera monetare
tërësisht, duke i mbajtur diferencat e duke i derdhur ato me vonesë, si dhe ka tërhequr këstet
kur ishte rënë dakord që të mos tërhiqej asnjë interes, me padinë në gjykim ka kërkuar
kthimin e “...shumës prej 600.000 (...) lekë të përfituara pa shkak me mashtrim në firmat
“Vefa” dhe “Kamberi” dhe interesit të munguar nga mos derdhja dhe derdhja me vonesë e
shumës së dhënë”.
17. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, ndryshe nga gjykatat e faktit, vlerëson se arsyet
e kërkimit të paditësit për kthimin e shumave përkatëse janë: (i) e drejta e tij e pretenduar
mbi shumat e dhëna të paditurit për t’i depozituar ato në formën e huasë tek dy shoqëritë
huamarrëse dhe (ii) gjendja e faktit-mos depozitimi i tyre në vlerat e dhëna nga i padituri apo
mos depozitimi në tërësi i tyre, tërheqja e interesave (kësteve) kur kjo e drejtë nuk i ka qenë
dhënë të paditurit nga paditësi, që i kundërvihet të drejtës së paditësit mbi këto shuma.

4
17.1. E drejta dhe gjendja e faktit e sipër treguar përbëjnë shkakun e padisë. Në
vështrim të shkakut të padisë, objektit dhe përmbajtjes të saj ky Kolegj gjykon se nuk
ndodhemi përpara padisë së kërkimit të përfitimit pa të drejtë, pra para padisë së begatimit pa
shkak, sikurse pranojnë gjykatat e faktit. Për padinë në shqyrtim, pavarësisht se nuk ka
ndonjë akt të shkruar, ndodhemi përpara një marrëdhënie me karakter kontraktor.
Mospërmbushja e detyrimeve të lindura nga kjo marrëdhënie përbën shkakun e lindjes së
mosmarrëveshjes midis palëve.
17.2. Në këtë vështrim juridik, nëse të drejtat dhe detyrimet e palëve, nuk janë
përmbushur, sikundër pretendon paditësi, pavarësisht se si bazë ligjore të padisë ai ka
vendosur edhe nenin 121 të Kodit Civil, padia në shqyrtim nuk është ajo e begatimit pa
shkak, prandaj gjykatat duhet të shqyrtonin çështjen në themel. Kjo nuk përjashton
mundësinë as të parashkrimit të padisë dhe as pranimin apo rrëzimin e padisë nëse i padituri
vërteton të kundërtën e pretendimeve të paditësit.
17.3. Mospërmbushja tërësisht apo mospërmbushja në mënyrën e caktuar e
detyrimeve që lindin nga ligji, nga kontratat ose nga shkaktimi i dëmit nuk është begatim pa
shkak. Që të ndodhemi para begatimit pa shkak duhet të konkurrojnë katër kushte: (i) një
person të jetë pasuruar dhe një tjetër të jetë dëmtuar; (ii) pasurimi i një personi të rrjedhë nga
dëmtimi i tjetrit; (iii) pasurimi të mos ketë ndodhur në bazë të një shkaku të ligjshëm-pra,
mungesa e shkakut të justifikuar dhe (iv) begatimi të jetë kryer pa faj.
18. Padia për përfitimin pasuror pa të drejtë, parashikuar nga nenet 655-658 të Kodit
Civil, mund të ngrihet vetëm atëherë kur i dëmtuari nuk mund të ngrejë tjetër padi (neni 658 i
K.Civil).
18.1. Në këtë kontekst, gjykata nuk mund të shprehet për parashkrimin ose jo të
padisë së begatimit pa shkak pa shqyrtuar kërkimet e paditësit dhe pa analizuar nëse janë të
qenësishme kushtet e kërkuar nga ligji për ngritjen e kësaj padie.
19. Edhe në konsideratën se padia në shqyrtim është padia e begatimit pa shkak,
nxjerrja e konkluzionit nga ana e gjykatave se për rastin konkret padia është parashkruar, pa
marrë në analizë objektin e shkakun e saj, nëse janë ose jo të qenësishëm kushtet që kërkohen
nga ligji për padinë e begatimit pa shkak, përbën shkelje të rëndë të normave procedurale dhe
të ligjit material, pasi vendimi nuk gjen mbështetje në ligj (nenet 10, 29 e 309 të K.Pr.Civile).
19.1. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të materialeve që ndodhen në
dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, vendimeve të gjykatave të faktit dhe
shkaqeve të rekursit, padisë e gjen të pambështetur në ligj konkluzionin e gjykatave të faktit
në lidhje me arsyetimin për parashkrimin e padisë.
19.2. Po kështu, gjykatat interpretojnë dhe zbatojnë gabim nenin 121 të Kodit Civil.
Sipas kësaj dispozite parashkrimi i padisë për kthimin e shumës së parave ose të sendit që
është fituar ose kursyer pa shkak, fillon nga dita kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për
fitimin ose kursimin pa shkak që ka realizuar personi përkatës.
19.2.a) Kjo dispozitë rregullon vetëm çështjen e fillimit të afatit të parashkrimit, duke
bërë kështu një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Ky përjashtim nga rregulli i
përgjithshëm qëndron në faktin se afati i parashkrimit fillon të ecë jo nga dita që ka ndodhur
begatimi pa shkak, por nga dita që i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për dëmin dhe për
personin që e ka shkaktuar atë. Fillimi i afatit të parashkrimit, në këtë rast ka një karakter
subjektiv, sepse varet nga dijenia ose mundësia e dijenisë së të dëmtuarit mbi dëmin dhe mbi
personin që e ka shkaktuar atë.
19.2.b) Pra, momenti i fillimit të ecjes së afatit të parashkrimit të padisë për kthimin e
përfitimit pasuror pa të drejtë, nuk lidhet me momentin kur kjo pasuri është përfituar pa
shkak nga një person (i padituri) dhe pakësuar një personi tjetër (paditësit), sikurse arsyetojnë
5
gjykatat, por ky moment është i lidhur me ditën kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për
fitimin apo kursimin pa shkak që ka realizuar personi përkatës. Evidentimi i këtij momenti, i
marrjes dijeni ose i mundësisë për ta ditur, se një person ka fituar ose ka kursyer pa shkak në
dëm të një personi tjetër, ka të bëjë me procesin e të provuarit, që është në ekskluzivitetin e
gjykatave të faktit.
19.2.c) Ky Kolegj sjell në vëmendje të gjykatave të faktit se për rastin konkret nuk
përbën argument ligjor pranimi “...se afati i parashkrimit të padisë ka filluar të ecë që nga
dita që i padituri nuk ka futur të gjithë shumën e parave sepse që nga ajo ditë pasuria e
paditësit është pakësuar pa të drejtë” [vendimi i gjykatës së apelit faqe 3]. Pasuria mund t’i
jetë pakësuar në këtë moment paditësit, por kjo nuk do të thotë se paditësi është vënë në
dijeni të këtij pakësimi në po këtë moment. Marrja dijeni mund të jetë e mëvonshme dhe
është e ndërvarur nga kushtëzime të tilla rrethanash që përbëjnë objektivisht pengesë për
marrjen dijeni të pakësimit të pasurisë. Dhe, nga ana tjetër, marrja dijeni për momentin e
pakësimit të pasurisë duhet t’i përgjigjet momentit kur merret dijeni se kjo pasuri e pakësuar i
është shtuar një personi tjetër konkret. Në të kundërt nuk mund të konsiderohet se i dëmtuari
ka ditur se një person tjetër ka fituar ose kursyer në dëm të tij pa shkak.
19.3. Pra, arsyetimi dhe konkluzioni i gjykatave bie ndesh me përmbajtjen e nenit 121
të Kodit Civil.
20. Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson të prishë vendimin e
Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të dërgojë
çështjen për rishqyrtim në Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
21. Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, për t’iu dhënë zgjidhje problemeve të
mësipërme, në respektim të të drejtave të palëve dhe detyrimeve të tyre që rrjedhin nga
procesi gjyqësor civil, “... ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet
garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin”
(neni 14) dhe, duke bërë një “cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me
mosmarrëveshjen” ta zgjidhë atë “në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në
fuqi” (neni 16).
21.1. Gjykata t’u bëjë të qartë palëve se është detyrë e secilës prej tyre, që në
përputhje me ligjin, të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që
kërkojnë. Në zgjidhjen e drejtë e ligjore të mosmarrëveshjes, ashtu si palët kanë të drejta, ato
kanë dhe detyrime “që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara” në
Kodin e Procedurës Civile (neni 3).
21.2. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, në
mbështetje të neneve 486 e 493 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata duke mbajtur parasysh
konkluzionet e mësipërme të këtij vendimi, duhet të përcaktojë me vendim për secilën palë
faktet që duhet të provohen prej tyre, provat që lejohen të paraqiten nga secila palë veçmas,
vlerën provuese të secilës provë, si dhe barrën e provës për secilën palë.
21.3. Në rigjykim, gjykata duhet të ndjekë dhe të kërkojë zbatimin e parimit të
kontradiktorialitetit, duke realizuar një gjykim të drejtë, në përfundim të të cilit të çmojë
provat në respektim të kritereve materiale e procedurale që përmbajnë dispozitat ligjore e që
lidhen me mosmarrëveshjen në gjykim, sipas bindjes së saj të brendshme, të formuar nga
shqyrtimi i të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre.
22. Kryerja e veprimeve të mësipërme, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të
dalin gjatë rigjykimit, do ta lejojnë gjykatën, që në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e
atij material të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e
çështjes.

6
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485/ç të Kodit të Procedurës
Civile,

VENDOSI
Prishjen e vendimit nr.1401, datë 16.11.2007 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të
vendimit nr.5654, datë 25.10.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e
çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me tjetër trup gjykues.

Tiranë, më 12.07.2012

You might also like