You are on page 1of 5

Prof.asoc.dr.Memli Sh.

Krasniqi

Kryengritjet shqiptare në studimet e prof.dr. Zekeria Canës

Profesori i nderuar, dr. Zekeria Cana, në kuadër të aktivitetit të tij shkencor, ka


lënë pas një numër të botimeve si: monografi, përmbledhje punimesh, ditarin e tij
të luftës dhe veprën e tij të fundit, të titulluar : Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në
dokumentet serbe. Ky libër me dokumente burimore serbe e përgatitur nga prof.dr.
Zekeria Cana, në të vërtetë paraqet një rrumbullaksim të studimeve dhe
dokumentimit të raporteve shqiptaro-serbe, të kryera nga studiuesit e Institutit
Albanologjik, duke filluar që me studiuesin Sadulla Brestovcin dhe veprën e tij
“Marrëdhëniet shqiptare-serbo-malazeze (1830-1878)”, raporte këto të mbështetura
në mënyrë indirekte edhe nga monografia e Prof.dr. Shkëlzen Raçës
“Marrëdhëniet shqiptaro-greke (1829-1881)” dhe që vazhduan me punën e
studiuesve si Isa Bicaj, Muhamet Shatrit, etj. Pra, këta studiues kanë vendosur
themelet e studimeve shqiptare në raport me fqinjin tonë verior, duke hapur kështu
rrugë për vazhdimin e studimeve për periudha më të vonshme historike dhe të cilat
shërbejnë jo vetëm për mbamendjen tonë historike, por paraqesin edhe bazën
fillestare orientuese për raportet tona të mundshme me serbët dhe Serbinë edhe në
të ardhmen. Rrjedhimisht të dhënat që na ofron ky libër me dokumente arkivore
serbe mbi kryengritjen shqiptare të viti 1912, janë të shumta dhe për më tepër,
shumë elemente të politikës së djeshme serbe, janë forma aktuale të veprimit edhe
sot. Kështu, diplomacia serbe, çdoherë theksonte se, në çfardo rrethane, duhet
potencuar para pushtetit osman dhe të huajve, se Kosova apo “Stara Srbija”, nuk
është vetëm shqiptare por edhe serbe, së paku deri në momentin kur do të bëhej
plotësisht serbe. Politika serbe në Kosovë zbatohej kryesisht nga shtresa klerikale
dhe nga mësimdhënësit serb, ndërsa ankesat tipike serbe ishin dhuna shqiptare
mbi serbët dhe për pasojë shpërngulja e tyre në Mbretërinë e Serbisë. Thënë
ndryshe, fakte të përsëritura mbi një-shekullore të shtetit serb, të cilat edhe sot,
përdoren si argumente serioze nga ana e analistëve, politikbërësve, diplomatëve
dhe historianëve serbë.

Studiuesi, Prof.dr. Zekeria Cana, këtë vëllim me dokumente burimore serbe, e


fillon me krizën politike në parlamentin osman lidhur me debatin për ndryshimin e
nenit 35 të kushtetutës së Perandorisë Osmane. Në të vërtetë me ndryshimin e këtij
neni, xhonturqit me përkrahjen edhe të Perandorisë Gjermane, synon që të
saktësoheshin të drejtat e sulltanit në përputhje me të drejtën e sheriatit, si mënyrë
kjo, për të lidhur me pushtetin e tyre, shtresat konzervative të popullsisë
myslimane të Peradorisë Osmane. Ndërsa, përfaqësuesi i Mbretërisë së Serbisë në
Stamboll, Dr. J.M.Nenadoviq, në raportin e tij dërguar Kryeministrit dhe ministrit
të Punëve të Jashtme, Millovan Millovanoviq, informonte se në takimet e tij me
ambasadorin gjerman, ky i fundit i kishte treguar se ai e këshillonte qeverinë
xhonturke për reforma në zonat shqiptare dhe se për të gjitha të këqijat fajësonte
udhëheqësin e xhonturqve, Talatin. Mosvotimi i ndryshimit të këtij neni, solli deri
te shpërndarja e parlamentit osman, por jo edhe të qeverisë së xhonturqve, gjë që
thelloi krizën e brendshme politike, sidomos në zonat shqiptare, në të cilat pothuaj
të gjitha shtresat e popullsisë ishin kundër pushtetit të xhonturqve dhe sulltanit të
tyre kukull.

Njëkohësisht, Valiu i Kosovës, lajmëronte ministrin e Punëve të Brendshme të


Perandorisë Osmane, se “Crna Ruka” organizonte njësi për t’i futur dhe për të
nxitur trazira në Kosovë. Ndërsa, në anën tjetër, po në këto raporte diplomatike
serbe, dëshmohet edhe për një ndërgjegjësim kombëtar te të gjitha shtresat e
popullsisë shqiptare. Kështu, nënkonsulli i Mbretërisë së Serbisë në Manastir,
Dushan Protiq, lajmëronte se në Dibër, në prani të Hamdi beut, deputet xhonturk
dhe anëtar i Komisionit për shqyrtimin e ankesave të shqiptarëve, nga 300
shqiptarë të mbledhur, vetëm 40 prej tyre ishin për shkollat në gjuhën osmano-
turke, ndërsa të tjerët u deklaruan se duan shkolla në gjuhën shqipe. Njëkohësisht,
elita politike shqiptare, menjëherë pas shpërndarjes së parlamentit osman, përpiqej
që të gjente aleatë në luftën e tyre politike për të drejtat kombëtare shqiptare në
kuadër të Perandorisë Osmane. Kështu, Hasan Prishtina dhe deputetët e tjerë
shqiptarë, përpiqeshin për një marrëveshja parazgjedhore me ekzarhistët ose
elementin bullgar në Sanxhakun e Shkupit. Të gjitha këto përpjekje të shqiptarëve
për aleanca, përcilleshin nga përfaqësitë konsullore serbe në Perandorinë Osmane.
Dhe në një nga raportet e Kryekonsullit serb në Shkup, P.Gavrilloviqit, shteti serb
informohej mbi takimin e Hasan Beut me ish deputetin bullgar, Pavllovin. Mirëpo,
ashtu siç do të raportojë edhe përfaqësuesi serb në Sofje, Dr. M. Spallajkoviq,
delegacioni shqiptarë edhe pas tre ditë bisedimesh nuk arriti të bëjë marrëveshje
me bullgarët.

Në vazhdim të këtij vëllimi, Prof.dr.Z.Cana, sjellë të dhëna të reja, në të cilat


dëshmohet se si diplomatët serb, në raportet e tyre, theksonin se ishte në interesin e
Serbisë që xhoturqit të mposhtin qëndresën shqiptare dhe në anën tjetër, që Serbia
te elita shqiptare të krijonte përshtypjen se janë përkrah tyre kundër xhonturqve.
Në këtë mënyrë, sipas tyre, lufta kryesore do të zhvillohej ndërmjet shqiptarëve
dhe pushtetit dhe ku përfituesit më të mëdhenj mund të ishin serbët. Prandaj nuk
habit fakti se serbët u bëjnë premtime krerëve shqiptarë, se ata do t’i përkrahin në
lëvizjen e tyre kundër qeverisë xhonturke. Kështu, konsulli serb në Prishtinë, Dr.
M.Gj. Millojeviq, lajmëronte qeverinë serbe, se Isa Boletini nga serbia kërkonte;
1) armë dhe municion; 2) Që Serbia të angazhohet për shqiptarët në Stamboll dhe
në Evropë; 3) Që Serbia kur të fillojë kryengritja shqiptare të nxjerrë ushtrinë në
kufirin osman, dhe se në parim Isa Boletini kishte pranuar kërkesën serbe, se në
rast se Perandoria Austro-hungareze hynë në Sanxhakun e Pazarit të Ri
(Novipazarit) ose sulmon Serbinë, ai do të luftonte kundër Austro-hungarisë.
Politikë kjo, shkurtpamëse dhe me pasoja të rënda e Isa Boletinit, i cili e bënte
Vjenën armike dhe Beogradin mike, ushqehej nga serbët, të cilët e frikësonin me
pushtimin austriak dhe në anën tjetër e siguronin se deri sa Perandoria Osmane të
jetë gjallë, Serbia nuk do të merrte asnjë hap përpara. Në këtë frymë mashtrimi,
konsulli Millojeviq, theksonte se ata mund t’u premtonin shqiptarëve lirinë dhe
pavarësinë e plotë, por kur Serbia të pushtonte këto zona, ajo do të ndrronte edhe
strukturën e popullsisë duke kthyer “të shpërngulurit” nga Serbia, politikë kjo
konstante serbe në gjithë periudhën pothuaj dy-shekullore të shtetësisë serbe.

Dokumentet e botuara nga Prof.dr. Zekeria Cana, hedhin dritë edhe mbi rolin e
Perandorisë Austro-hunagreze, në thellimin e dyshimit dhe të përçarjes në mesin e
popullsisë shqiptare edhe për projekte të tilla si ndërtimi i hekurudhës së
Adriatikut, e cila do të lidhte Vilajetin e Kosovës me atë të Shkodrës. Këtë Vjena e
bënte ngase koncesionin për ndërtimin e saj e kishin fituar francezët, prandaj ajo
përhapte fjalë te popullsia shqiptare se do t’u mirrej toka dhe se ushtria do ta kishte
më lehtë t’i rrethonte.

Në anën tjetër, Perandoria Ruse, po kështu keqpërdorte vizitat në objektet fetare të


krishtera ortodokse për veprimtari subverzive. Kështu komandanti i Mitrovicës
lajmëronte mbi kinse vizitën e konsullit rusë të Shkupit në manastirin e Deçanit,
ndërkohë që ai aty takohej fshehurazi me Mehmet Zajmin. Në rrethana të tilla të
pavolitshme, pa ndonjë përkrahje ndërkombëtare dhe ndonëse me dyshime ndaj
pretendimeve të fqinjëve, një pjesë e krerëve të kryengritjes së viti 1912 u
mbështetën në Malin e Zi dhe në Serbinë. Rrjedhimisht, në këtë përpjekje që të
gjejë mbeshtetjen e shteteve ballkanike ishte edhe takimi i Ismail Qemalit me
përfaqësuesin e Mbretërisë së Serbisë në Londër, Dr. S.J. Grujiq, të cilit Ismail
Qemali i kishte deklaruar se Autonomia e Shqipërisë nuk ishte në kundërshtim me
interesat e Serbisë, përkundrazi ajo do të ishte pengesë kundër depërtimit drejtë
jugut të Austro-hungarisë.

Gjithashtu, Prof.dr. Zekeria Cana, me këtë vëllim ka hedhur dritë edhe lidhur me
kërkesën e Isa Boletinit që 14 pikave të shqiptarëve t’i shtohet edhe pika e 15, në të
cilën kërkohej që të drejtat e njëjta t’i gëzojnë edhe serbët, gjë të cilën e kishte
hedhur poshtë Hasan Prishtina. Për më shumë, burimet serbe, theksonin se ishte
Hasan Prishtina, ai i cili, më së shumti frikësohej nga serbët dhe që konsideronte,
se në Kosovë, nuk kishte vend për të dy popujtë.

Dhe si përfundim po ritheksoj kërkesat e Mbretërisë Serbe të vitit 1912, aq të


ngjajshme me kërkesat serbe të fillimit të shekullit XXI, liri për Kishën dhe
Vetadministrim të komunave serbe.

You might also like