You are on page 1of 1

Ekranizimi i romanit “Alkimisti”

Autori më i lexuar brazilian, Paulo Coelho, pas kërkimit të tij dhjetëvjeçar, më në fund ia
doli ta gjejë formulën përkatëse për ekranizimin e romanit të tij më të popullarizuar
“Alkimisti” (“The Alchemist”). Coelho është njëri ndër autorët më të lexuar dhe më të
shitur tani në botë. Romanet e tij (“Alkimisti”, “Veronika vendos të vdes”, “Mali i pestë”,
“Djalli dhe zonjusha Prym”, “Manual për luftëtarin e dritës”, të përkthyer edhe në gjuhën
shqipe, plus romani “Buzë lumit Pjedra rrija dhe qaja” dhe “Pelegrini”) janë të përkthyer
gjithsej në 56 gjuhë të ndryshme të botës dhe të shitura në më shumë se 40 milionë kopje.
Mirëpo, Coelhos iu deshën jo më pak se dhjetë vjet kërkime për ta gjetur skenarin më të
përshtatshëm, të adaptuar për film, në temën e Alkimistit. Për befasi të të gjithëve,
regjisor i filmit do të jetë aktori Laurence Fishburne. Fishburne, i cili luan njërin ndër
rolet krysore në filmin trilogjik “The Matrix (Matriksi), në filmin e ardhshëm “Alkimisti”
do të ketë një përgjegjësi të trefishtë, atë të regjisorit, skenaristit dhe të rolit kryesor. Libri
“Alkimisti”, bën fjalë për djaloshin, i cili gjatë kohës së inkuzicionit katolik niset nga
Andaluzia drejt vendit të piramidave egjiptiane në kërkim të thesarit të madh. Është një
rrëfim për kërkimin dhe gjetjen e vetvetes si dhe të fatit, që nganjëherë është më afër se
sa mendohet. Ky rrëfim mistik ia doli ta robërojë imagjinatën e miliona lexuesve
anembanë botës.

Fishburne - aktor, skenarist dhe regjisor i “Alkimistit”

Nga botimi i parë i këtij libri, më 1998 ishin shitur vetëm 900 kopje, ndërkohë që botuesi
vendosi t’i jap fund botimit me kaq. Por, dy vjet më vonë, një botues tjetër më i madh i
bleu të drejtat autoriale të librit dhe, më pas gjithçka është histori. Libri u shit, u stërshit
dhe Coelho shkroi dhe rishkroi deri në kulmin e famës dhe të popullaritetit. Shtëpia
“Warner Bros Pictures” i bleu të drejtat e librit për ekranizimin e këtij romani qysh në
vitet e hershme të nëntëdhjetave, por Coelho, të cilit iu ishin dhënë të gjitha mundësitë
për zgjedhje kurrsesi nuk ia kishte dalur të bie në ujdi me filmaxhinj, deri më tani.
Mirëpo, pasi e kishte gjetur të vërtetin, në këtë rast Fishburnein, Coelho bëri të ditur se ky
film do të paraqesë ekranizimin e parë dhe të fundit të njërit prej cilido librave të tij.
Filmi “Alkimisti” do të fillojë të xhirohet në fund të këtij viti, në Jordani, ndërsa në
kinema është planifikuar të paraqitet gjatë vitit të ardhshëm. Studioja “Warner Brothers”
ka miratuar buxhetin për këtë film që është i barabartë me 80 milionë dollarë. Gjithashtu
dihet se në film, përveç Fishbournit, do të luajnë edhe dy yje të ekranit, aktori Jeremy
Irons dhe popmbretëresha Madonna.

Vitin e shkuar kritikët e kishin quajtur Coelhon një pseudofilozof për shkak të
sipërfaqshmërisë së tij në shkrime. Përballë kritikave të këtilla Coelho zakonisht i kishte
rrudhur shpatullat dhe ishte mbrojtur duke deklaruar se kritikat e tilla janë vetëm nxitje
për projekte të tij të mëtutjeshme.

You might also like