You are on page 1of 1

Besim Bokshi, gjuhëtar, profesor e akademik lindi në Gjakovë më 12 nëntor 1930 dhe vdiq po aty

më 16 gusht 2014. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat - në
Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në
Universitetin e Beogradit dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet
pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë
të punimit Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes (Gjurmime albanologjike, 1,
1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të
shqipes në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977. Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në
Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle.
Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të
gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e
kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë
Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur
profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me
mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar
lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve -
Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë anëtar i komisionit për
konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e
Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të
Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët
ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të
shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të
Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur
ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979). Ka qenë deputet në Dhomën për
Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike
më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë
kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën Rruga e formimit të fleksionit të sotëm
nominal të shqipes ka marrë Shpërblimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980. Është
anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave
dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 është anëtar i rregullt i
kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar i Akademisë.

You might also like