You are on page 1of 2

Bunkerizimi i arsyes

Arsyetimi është veçori tipike e qenies njerëzore. Njeriut i është dhënë potenciali dhe kapaciteti
për t’i shquar qartë gjërat. Ky potencial lind me njeriun. Njeriu mund ta zhvillojë më tej gjatë
jetës. Ta gdhendë. Ta latojë. Ta retushojë. T’i jap formë. T’i jap jetë mbi të gjitha. Mund të
zgjedhë të bëjë dhe të kundërtën. Për të kryer njërën ose tjetrën është lënë plotësisht i lirë.

Njeriu është qenie shoqërore. Do apo nuk do është i ndikueshëm nga një sërë faktorësh.
Ndikimet e këtyre faktorëve manifestohen në mënyrën e të arsyetuarit. Në mënyrën e
perceptimit. Në vizionin për të ardhmen. Në reflektimin për të shkuarën. Se në çfarë thellësie
depërtojnë këta faktorë në brendinë e njeriut, varet nga terreni që hasin. Nëse terreni është
lehtësisht i depërtueshëm thellësia e ndikimit të tyre do të jetë e jashtëzakonshme. Nëse terreni
do të jetë rezistent thellësia e ndikimit të tyre do të jetë tepër e cekët.

Por çfarë i dallon, një terren të depërtueshëm dhe një terren rezistent? A dallojnë vetëm nga
rezistenca ndaj depërtimit? Edhe kjo është e pranueshme. Dallimi thelbësor ka të bëjë me
bazamentin mbi të cilin është ndërtuar rezistenca. A është i ndërtuar mbi një kuptueshmëri të
drejtë të çështjeve thelbësore të jetës? Apo është ndërtuar mbi një kuptim të shtrembëruar dhe jo
real?

Shumë syresh për hir të së vërtetës kanë ndërtuar një perceptim shumë të cunguar mbi rrjedhën e
gjërave. Gjykimi i tyre ka marrë një rrjedhë e cila nuk të çon as më shumë e as më pak sesa drejt
bunkerizimit të arsyes. Manifestimet e këtij bunkerizimi janë mëse të prekshme. Perceptime të
vakura. Vizion pothuajse në termat e së paqënës. Reflektime mbi bazamentin bunkerist.
Bunkerizimi i arsyes është shumë i rrezikshëm. Mban peng aktualen. Burgos të ardhmen. Nuk të
lë të marrësh frymë lirisht. Falsifikon gjykimin moral. Ndez përjetime të një të shkuare të errët.
Risjell detaje imëtake dhe i kthen në pozitat e çështjeve thelbësore të jetës. Mbi këto detaje
gjykon aktualitetin. Ndërton vizionin e së ardhmes nëse mund të ketë një të tillë. Të kthehesh pas
në kohë është e domosdoshme. Por të kthehesh që t’i japësh të drejtë bunkerizimit të arsyes është
më shumë se e padrejtë. Bunkerizimi i shërben largimit nga bota e leximit me mendje të hapur
literaturës që bazohet jo në shtrembërimet bunkeriste. Një arsye e bunkerizuar mund ta shohë me
dyshim këtë literaturë. Për rrjedhojë mund të vendosë shenjën e barazisë mes dy gjërave krejt të
kundërta me besimin se të dyja sillen me frymë përjashtuese ndaj njëra-tjetërs. Të dyja janë
njësoj. Atëherë kujt t’i besojmë? Ndërkohë që arsyeton në këtë linjë nuk harron të miklojë
bunkerizimin. Madje edhe sot kur mundësitë për depërtim më të njëmendtë në shtjellat e errëta të
së shkuarës është i lartë, arsyeja e bunkerizuar nuk e pranon këtë depërtim. Edhe në bëftë sikur e
pranon, thelbin e saj nuk e prek. Ky pështjellim që endet brenda arsyes së bunkerizuar është
prodhim 24 karat i indoktrinimit. Bunkerizimi i arsyes është katërçipërisht pasojë e indoktrinimit.
Fuqia apo dobësia e bunkerizimit është në përpjestim të drejtë më fuqinë apo dobësinë e
indoktrinimit. Qeniet e bunkerizuara edhe sikur të duan nuk çlirohen dot nga hijet e së shkuarës.
Ato qarkullojnë lirshëm në një mjedis ky fryma e indoktrinimit është oskigjeni i shumë syresh.
Frymë shpesh e pahetueshme. Madje në shumë raste duket sikur ka dhënë shpirt. Fakti që kemi
syresh që manifestojnë sjelle bunkeriste është domethënës. Është këmbanë alarmi për rrezikun që
vjen nga e shkuara dhe kërkon të hidhet drejt së ardhmes. Ne dëshirojmë një përpjekje më
serioze për një përmirësim të asaj që kemi aktualisht në qarkullim. Këtë e dëshirojnë dhe arsyet e
bunkerizuara. E ardhmja të jetë më e mirë se aktualja. Përsa kohë kjo mbetet një dëshirë, ky
shqetësim do të klasifikohet si joserioz. Joserioziteti lidhet me padëshirën për të dekonstruktuar
totalisht bunkerizimin e arsyes. Një dekonstruktim i pjesshëm është më mirë sesa pa gjë fare. Por
e pjesshmja nuk mund të qëndrojë më lartë sesa totalja. Nëse duam që e ardhmja të jetë më
serioze dhe më e mirë se aktualja çbunkerizimi i arsyes totalisht është kusht i patjetërsueshëm.
Nëse nuk duam të çbunkerizojmë arsyen dhe ta nxjerrim në lirishtë që të thithë oksigjenin e
pastër të lirisë, fjala e disa syresh se nuk janë të kënaqur me aktualitetin nuk vlen. Pa
çbunkerizim nuk ka çlirim të njëmendtë të vizionit që duhet të ndërtojmë mbi korrigjimin e
aktualitetit dhe projektimin e së ardhmes.

Dekonstruksioni total i bunkerizimit është një operacion i thellë. Rezultatet e tij nuk mund të
priten sot për nesër. Që ky operacion të jetë i vërtetë duhet të nisë nga secili prej nesh. Nuk mund
të realizohet dekontruksioni i bunkerizimit duke mbajtur kokën pas me keqardhje. Fuqia e këtij
operacioni duhet të jetë e lidhur me dhënien vend qëndror gjykimit moral për çdo rast. Ky është
shtegu që do të na nxjerrë në lirishtën e arsyes së çbunkerizuar. Edhe kuptueshmëria e çështjeve
thelbësore të jetës do të çlirohet dhe do të vendoset mbi këtë bazament.

Nëse kuptueshmëria e çështjeve thelbësore të jetës do të vendoset mbi bazamentin e gjykimit


moral që rrjedh nga parimet dhe shkakësitë parake mundësitë që keqkuptimet të depërtojnë në
arsyetim, perceptim, vizion, reflektim janë në kufijtë e fundëm. Mbërritja në këtë pikë rezistence
ndaj keqkuptimeve bunkeriste nuk është aksidentale. Kush mban ndezur pishtarin e diturisë dhe
pastërtinë e zemrës në përvetësimin e saj do të ndërtojë një terren solid. I qëndrueshëm në kohë
dhe hapësirë. I padeformueshëm nga atakimet bunkeriste. Dëshmi e gjallë e prarimit të arsyes së
çbunkerizuar.

You might also like