You are on page 1of 7

Leksion

Teoritë për urbanizmin


Shumë prej sociologëve të mëparshëm ishin të magjepsur nga qyteti dhe jeta urbane.
Madje sociologu klasik Max Weber shkroi një libër të titulluar Qyteti (botuar pas
vdekjes në vitin 1921), në të cilin ai shtjellon kushtet që bënë të mundur kapitalizmin
modern, që nga koha e qytetit perëndimor mesjetar. Teoricienë të tjerë të hershëm u
morën edhe më shumë me mënyrën se si zhvillimi i qytetit ndryshonte mjedisin
shoqëror dhe fizik. Vepra e Georg Simmel dhe Ferdinand Tönnies përbën dy prej
ndihmesave më të rëndësishme në sociologjinë urbane. Këta mendimtarë ndikuan
thellësisht tek sociologët e mëvonshëm të urbanizmit. Robert Park, për shembull,
pjesëtar i shkollës së Çikagos, studioi nën udhëheqjen e Simmel-it në Gjermani në
fund të shekullit të njëzetë.

Shkolla e Çikagos
Nga viti 1920 deri në vitin 1940, një numër shkencëtarësh bashkëpunëtorë në
Universitetin e Çikagos, veçanërisht Robert Park, Ernest Burgess dhe Louis Wirth,
zhvilluan ide dhe kryen studime në fushën e sociologjisë urbane. Vëmendje e
posaçme vlen t'u kushtohet dy koncepteve të zhvilluara nga Shkolla e Çikagos. Njëri
është i ashtuquajturi drejtim ekologjik në analizën urbane; tjetri është karakterizimi i
urbanizimit si mënyrë jetese, i zhvilluar nga Wirth (Wirth, 1938; Park, 1952).

Ekologjia urbane
Termi ekologji është huazuar nga një shkenca e biologjisë: studimi i përshtatjes së
organizmave shtazorë dhe bimorë ndaj mjedisit. Ky është kuptimi në të cilin
‘ekologjia’ përdoret në kontekstin e problemeve të mjedisit në përgjithësi. Në botën
natyrore organizmat kanë prirjen të shpërndahen sistematikisht nëpër terren në
mënyrë të tillë që midis llojeve të ndryshme të arrihet një baraspeshë ose ekuilibër.
Shkolla e Çikagos mendonte që ngritja e vendbanimeve të mëdha urbane dhe përhapja
brenda tyre e lagjeve të llojeve të ndryshme mund të kuptohet në bazë të parimeve të
ngjashme. Qytetet nuk ngrihen në mënyrë të rëndomtë, por në përgjigje të epërsisë së
veçorive të mjedisit. Për shembull, në shoqëritë moderne zonat e mëdha urbane
zhvillohen kryesisht përgjatë brigjeve të lumenjve, në pllaja pjellore ose në
kryqëzimet e rrugëve ose hekurudhave tregtare.
Sipas Robert Park, ‘Me t'u ngritur, qyteti duket sikur është një mekanizëm i
madh seleksionues i cili ... në mënyrë të pagabueshme përzgjedh nga tërë popullata
individët që janë më se të përshtatshëm për të jetuar në një zonë ose në një mjedis të
veçantë’ (Park, 1952, f. 79). Qytetet fillojnë sistemimin në ‘zona natyrore’ nëpërmjet
procesit të konkurrencës, dyndjes dhe trashëgimisë – po ato procese që ndodhin në
ekologjinë biologjike. Po të shohim ekologjinë e një liqeni në mjedisin natyror, do të
vërejmë se midis llojeve të ndryshme të peshqve, insekteve dhe organizmave të tjerë
zhvillohet konkurrencë me qëllim që midis tyre të arrihet një shpërndarje pak a shumë
e qëndrueshme. Ky ekuilibër prishet në rast se ‘dynden’ lloje të reja – që përpiqen ta
bëjnë liqenin strehën e tyre. Disa nga organizmat që janë përhapur në zonat qendrore
të liqenit, dëbohen tutje për t'iu nënshtruar një ekzistence më të rrezikuar në rrethinat
skajore. Llojet në dyndje bëhen pasardhëset e tyre në zonat qendrore.
Sipas pikëpamjes ekologjike, modelet e vendndodhjes, qarkullimit dhe lëvizjeve kanë
forma të përafërta. Rajonet e ndryshme të qyteteve zhvillohen nëpërmjet përshtatjeve
të bëra nga banorët ndërkohë që luftojnë për të siguruar jetën e tyre. Qyteti mund të
përfytyrohet si një hartë me zona me karakteristika sociale të dallueshme dhe në
kontrast. Në fazat fillestare të rritjes së qyteteve të sotme, industritë përqendrohen në
zona të përshtatshme për lëndët e para që u nevojiten, pranë linjave të furnizimit.
Popullsia ngjishet rreth këtyre vendeve të punës, të cilat, me rritjen e numrit të
banorëve të qytetit, bëhen gjithnjë e më të shumëllojta. Të mirat e zhvilluara në këtë
mënyrë bëhen për rrjedhojë edhe më tërheqëse, dhe për sigurimin e tyre zhvillohet
konkurrencë në rritje. Çmimi i tokës dhe taksat mbi pronën rriten, duke e vështirësuar
jetesën në zonën qendrore të qytetit, përveçse në kushte privimi ose në shtëpi të
vjetruara, ku qeratë janë ende të ulëta. Qendra fillon të sundohet nga veprimtaritë e
biznesit dhe argëtimet, ndërsa banorët më të pasur vendosen në periferitë e
porsaformuara rretheqark perimetrit. Ky proces pason ndërtimin e rrugëve të
transportit, të cilat e minimizojnë kohën që duhet për të shkuar në punë; zonat midis
këtyre rrugëve zhvillohen më ngadalë.

Qytetet mund të shihen si të formuara në unaza koncentrike të ndara në


segmente. Në qendër janë zonat e qytet-qendrës, një përzierje e biznesit të fuqishëm
në lulëzim dhe e shtëpive private në rrënim. Më tej vijnë lagjet e ngritura më herët,
me punëtorë të punësuar në punë krahu të qëndrueshme. Akoma më tutje vijnë lagjet
e jashtme, ku priren të jetojnë grupet me të ardhura më të larta. Proceset e dyndjes dhe
të trashëgimisë ndodhin brenda segmenteve të unazave koncentrike. Kështu, me
rrënimin e pronës në një zonë qendrore ose afër saj, grupet etnike të pakicës mund të
fillojnë shpërnguljen brenda kësaj zone. Ndërkaq, një pjesë gjithnjë e më e madhe e
popullsisë ekzistuese fillon të largohet, duke paraprirë një largim në masë për në zona
të tjera të qytetit ose në lagjet e jashtme të tij.
Megjithëse u shpërfill për njëfarë kohe, ekologjia urbane u ringjall më vonë
dhe u përpunua në shkrimet e një numri autorësh, veçanërisht të Amos Hawleyt
(1950, 1968). Në vend që të përqendrohej në konkurrencën për burime të rralla, siç
kishin bërë paraardhësit e tij, Hawley e vuri theksin në ndërvarësinë e zonave të
ndryshme të qytetit. Diferencimi – specializimi i grupeve dhe roleve të veprimtarisë –
është mënyra kryesore e përshtatjes së njerëzve ndaj mjedisit. Grupet nga të cilat
varen shumë të tjerë, luajnë rol mbizotërues që shpesh pasqyrohet në pozitën qendrore
gjeografike të tyre. Për shembull, disa grupe biznesi, si bankat e mëdha ose shoqëritë
e sigurimeve, ofrojnë shërbimet kryesore për një pjesë të mirë të popullsisë së një
komuniteti, prandaj, për rrjedhojë, këto grupe zakonisht gjenden në zonat qendrore të
vendbanimeve. Por zonat që zhvillohen në rajonet urbane, vë në dukje Hawley, lindin
nga marrëdhënie që kanë të bëjnë jo vetëm me hapësirën, por edhe me kohën. Për
shembull, sundimi i një biznesi shprehet jo vetëm në modelet e shfrytëzimit të tokës,
por edhe në ritmin e veprimtarive në jetën e përditshme – ilustrim i së cilës janë orët e
pikut të qarkullimit. Renditja në kohë e jetës së përditshme të njerëzve pasqyron
hierarkinë e zonave të qyteteve.
Drejtimi ekologjik ka qenë i rëndësishëm si për numrin e studimeve empirike
që nxiti, ashtu dhe për vlerën e tij si këndvështrim teorik. Shumë studime të qyteteve
në tërësi dhe të zonave të veçanta të tyre janë nxitur nga mendimi ekologjik – i
interesuar, për shembull, në proceset e porsa-përmendura të ‘dyndjes’ dhe
‘trashëgimisë’. Megjithatë, këtij drejtimi mund t’i bëhen me të drejtë kritika. Duke e
menduar zhvillimin urban si një proces ‘natyror’, këndvështrimi ekologjik e
nënvlerëson rëndësinë e projektimit dhe planifikimit të vetëdijshëm në organizimin e
qytetit. Modelet e organizimit hapësinor të zhvilluara nga Park, Burgess dhe kolegët e
tyre u morën nga përvoja amerikane, prandaj u përshtaten vetëm disa lloj qyteteve në
Shtetet e Bashkuara, por jo qyteteve të Evropës, Japonisë apo të botës në zhvillim.

Urbanizmi si mënyrë jetese

Teza e Louis Wirth mbi urbanizmin si mënyrë jetese nuk ka të bëjë aq me


ndryshueshmërinë e brendshme midis qyteteve, se sa me atë çka është urbanizmi si
formë e ekzistencës sociale. Wirth bën këtë vëzhgim:

Shkalla në të cilën bota e sotme mund të thuhet se është ‘urbane’, nuk matet plotësisht
dhe saktësisht me përqindjen e popullsisë së përgjithshme që jeton në qytete. Ndikimet që
ushtrojnë qytetet në jetën shoqërore të njeriut janë më të mëdha nga ç’do të tregonte
përqindja e popullsisë; pasi qyteti është jo vetëm gjithnjë e më shumë vendi ku banon dhe
punon njeriu i sotëm, por edhe qendra nismëtare dhe kontrolluese e jetës ekonomike,
politike dhe kulturore, i cili ka tërhequr rreth orbitës së tij komunitete nga skajet më të
largëta të botës, dhe zonat, popujt dhe veprimtaritë e shumëllojshme i ka endur në
modelin e një kozmosi (Wirth, 1938, f. 342).

Në qytete, vë në dukje Wirth, njerëzit jetojnë pranë njëri-tjetrit pa u njohur


personalisht – një dallim thelbësor me fshatrat e vegjël tradicionalë. Pjesa më e madhe
e kontakteve të banorëve të qytetit janë kalimtare e të pjesshme dhe në vetvete janë
më tepër mjet për qëllime të tjera, se sa marrëdhënie për kënaqësi. Ndërveprimet me
shitësit e dyqaneve, arkëtarët e bankave, pasagjerët ose fatorinot në trena janë takime
kalimtare që realizohen jo si qëllim në vetvete, por si mjet për synime të tjera.
Meqenëse ata që jetojnë në zona urbane, priren të jenë vazhdimisht në lëvizje,
lidhjet midis tyre janë pothuajse të dobëta. Njerëzit përfshihen çdo ditë në veprimtari
dhe situata nga më të ndryshmet – ‘ritmi i jetës’ është më i shpejtë se në zonat rurale.
Konkurrenca mbizotëron në raport me bashkëpunimin. Wirth pranon gjithashtu se
ngarkesa e jetës shoqërore në qytete çon në formimin e zonave që kanë karakteristika
dalluese, disa nga të cilat mund të ruajnë tiparet e komuniteteve të vogla. Në zona
emigrantësh, për shembull, hasen llojet tradicionale të lidhjeve midis familjeve dhe
pjesa më e madhe e njerëzve e njohin personalisht njëri-tjetrin. Megjithatë, sa më
shumë përfshihen këto zona në modelet më të gjera të jetës në qytete, aq më pak
mbijetojnë këto tipare.
Me të drejtë idetë e Wirth-it mbeten ende mjaft aktuale. Indiferentizmi në
kontaktet e shumta të përditshme në qytetet e sotme është dukuri e pamohueshme –
dhe deri-diku kjo vlen edhe për jetën sociale në shoqëritë e sotme në përgjithësi.
Teoria e Wirth-it është e rëndësishme sepse nënvizon se urbanizmi është jo vetëm
pjesë e shoqërisë, por shpreh ndikon në natyrën e sistemit më të gjerë social. Aspektet
e mënyrës urbane të jetesës janë karakteristikë e jetës shoqërore në tërësi, jo thjesht
veprimtari të atyre që rastisin të banojnë në qytete. Megjithatë idetë e Wirth-it kanë
kufizime të theksuara. Ashtu si këndvështrimi ekologjik, me të cilin ka shumë të
përbashkëta, teoria e Wirth-it mbështetet kryesisht në vëzhgimet e qyteteve
amerikane, duke i përgjithësuar ato me urbanizmin gjithandej. Urbanizmi nuk është i
njëjtë në çdo kohë dhe në të gjitha vendet. Për shembull, në shumë aspekte qytetet e
lashta ishin krejt të ndryshme nga qytetet e shoqërive të sotme. Për shumicën e
njërëzve në qytetet e hershme jeta nuk ishte më e panjohur dhe indiferente se për ata
që jetonin në fshatra.
Krahas kësaj Wirth e zmadhon shkallën e indiferencës në qytetet e sotme.
Komunitetet e sotme urbane me lidhje të afërta miqësie ose farefisnie janë më të
qëndrueshme nga ç’mendonte ai. Ja se çfarë shkruante për bashkëpunëtorët e tij
Everett Hughes, koleg i Wirth-it në Universitetin e Çikagos: ‘Louisi thoshte gjithë ato
gjëra për indiferencën në qytetet e sotme – ndonëse vetë jetonte me një klan të tërë të
afërmish dhe miqsh të lidhur ngushtë’ (cituar në Kasarda dhe Janowitz, 1974). Grupet
si ato që Herbert Gans (1962) i quan ‘fshatarë urbanë’, janë të zakonshme në qytetet e
sotme. ‘Fshatarët urbanë’ të tij janë amerikanë italianë që jetojnë në lagjet e
brendshme të Bostonit. Këto zona ‘etnike të bardhësh’ po bëhen ndoshta më pak të
rëndësishme se dikur në qytetet amerikane, por ato po zëvendësohen nga komunitetet
e emigrantëve të rinj të qytet-qendrës.
Ç’është më e rëndësishme, zonat me lidhje të afërta farefisnie dhe personale
shpesh duket se krijohen nga jeta e qytetit; ato nuk janë thjesht trashëgimi e një
mënyre të mëparshme jetese, që mbijeton për një periudhë në qytet. Claude Fischer ka
parashtruar një interpretim të arsyes përse urbanizimi në masë ka sot më tepër prirje të
zhvillojë nënkultura të shumëllojshme, se sa t’i përpijë të gjitha në një tërësi anonime.
Ai vë në dukje se ata që banojnë në qytete, kanë mundësi të bashkëpunojnë me të
tjerë, me prejardhje ose interesa të përafërta për zhvillimin e lidhjeve lokale; dhe ata
mund të bashkohen në grupe të dallueshme fetare, etnike, politike dhe grupe të tjera
nënkulturore. Qyteza ose fshati nuk e mundëson zhvillimin e kësaj larmie
nënkulturash. Ata që formojnë bashkësi etnike brenda qyteteve, për shembull, mund
të kenë pak ose aspak njohje me njëri-tjetrin në vendlindje. Kur mbërrijnë në qytet,
ata priren drejt zonave ku banojnë të tjerë me prejardhje të afërt gjuhësore dhe
kulturore, duke formuar struktura të reja nënbashkësie. Në një fshat ose qytet të vogël,
një artist mund të gjejë pak të tjerë me të cilët të lidhet; nga ana tjetër, në një qytet të
madh, ai mund të bëhet pjesë e një nënkulture të rëndësishme artistike dhe
intelektuale.
Qyteti i madh është ‘një botë të panjohurish’; megjithatë ai mbështet dhe
krijon lidhje personale. Ky nuk është paradoks. Përvojën urbane duhet ta ndajmë në
dy aspekte: në sferën publike të takimeve me të huaj dhe në botën më private të
familjes, miqve dhe kolegëve të punës. Kur vendosesh fillimisht në një qytet të madh,
mund ta kesh të vështirë të ‘takosh njerëz’. Por po të vendosesh në një komunitet të
vogël rural, mund të vëresh se afrueshmëria e banorëve është më tepër çështje
mirësjelljeje publike, ndërkohë që mund të duhen vite për t’u ‘pranuar’. Në qytetet e
mëdha nuk ndodh kështu. Siç komenton Edward Krupat:

Veza urbane … e ka lëvozhgën më të fortë dhe nuk thyhet lehtë. Në mungesë të rastit dhe
rrethanave për të hyrë diku, shumë njerëz që e shohin çdo ditë njëri-tjetrin në stacion të
autobusit ose të trenit, në kafené ose në shkallët e punës, nuk bëhen asnjëherë më shumë
se ‘të huaj të njohur’. Përveç kësaj, shumë njerëz mund të mbeten krejt jashtë, sepse u
mungojnë aftësitë shoqërore ose vetëveprimi. Megjithatë, ka prova dërrmuese që, për
shkak të diversitetit të të huajve – ku çdonjëri është një mik i mundshëm – dhe gamës së
gjerë të mënyrave të jetesës dhe interesave, njerëzit lëvizin në të vërtetë nga jashtë-
brenda. Me t’u ndodhur brenda një grupi ose strukture, mundësitë e zgjerimit të lidhjeve
të tyre shumëfishohen mjaft. Si rezultat i kësaj, të dhënat tregojnë se mundësitë pozitive
në qytete shpesh duket se i tejkalojnë forcat kufizuese të njerëzve, duke i lejuar këta të
fundit të zhvillojnë dhe të ruajnë marrëdhënie të kënaqshme (Krupat, 1985, f. 36).
Idetë e Wirth-it ruajnë njëfarë vërtetësie, por parë nën dritën e teorive të mëpasme
duket qartë se ato janë tejet të përgjithësuara. Qytetet e sotme shpesh krijojnë
marrëdhënie shoqërore anonime dhe indiferente, por janë burim diversiteti – madje
ndonjëherë edhe intimiteti.

Urbanizmi dhe mjedisi i krijuar

Teoritë e fundit të urbanizmit kanë theksuar se urbanizmi nuk është proces autonom,
por duhet të analizohet në kuadrin e modeleve kryesore të ndryshimeve politike dhe
ekonomike. Dy autorët kryesorë të analizës urbane sot, David Harvey (1973, 1982,
1985) dhe Manuel Castells (1977, 1983), janë ndikuar shumë nga Marksi.

Harvey: ristrukturimi i hapësirës

Duke u mbështetur gjerësisht në ide marksiste, David Harvey argumenton se


urbanizmi është një aspekt i mjedisit të krijuar, të shkaktuar nga përhapja e
kapitalizmit industrial. Në shoqëritë tradicionale qyteti kishte dallime të dukshme nga
fshati. Bujqësia mekanizohet dhe drejtohet thjesht në bazë të parimeve të çmimit dhe
fitimit. Ashtu si puna në industri, edhe ky proces i dobëson dallimet në mënyrat e
jetesës shoqërore midis njerëzve në qytet e në fshat.
Harvey vë në dukje se në urbanizmin modern hapësira zakonisht
ristrukturohet. Ky proces përcaktohet nga vendi ku shoqëritë e mëdha tregtare
vendosin të ngrenë fabrikat, qendrat e kërkimit dhe të zhvillimit, e kështu me radhë,
nga kontrolli që ushtrojnë qeveritë mbi tokën dhe prodhimin industrial, si dhe
veprimtaritë e investitorëve, blerja dhe shitja e shtëpive dhe tokës. Për shembull,
shoqëritë tregtare i peshojnë vazhdimisht epërsitë relative të zonave të reja
përkundrejt atyre ekzistuese. Kur prodhimi në një zonë bëhet më i lirë se në një tjetër,
ose kur shoqëritë tregtare kalojnë nga një produkt te tjetri, zyrat dhe fabrikat në një
vend duhet të mbyllen dhe të hapen gjetiu. Kështu, në një periudhë kur mund të
korren fitime të ndjeshme, mund të ketë ndërtime në masë të blloqeve të zyrave në
qendër të qyteteve të mëdha. Me t’u ndërtuar zyrat dhe kur zona qendrore të jetë
‘zhvilluar sërish’, investitorët kërkojnë mundësinë e ndërtimeve të mëtejshme gjetiu.
Shpesh ajo që në një periudhë sjell fitim, në një kohë tjetër nuk do të jetë e tillë, në
rast se ndryshon klima financiare.
Veprimtaritë e blerësve privatë të shtëpive ndikohen fuqimisht nga largësia
dhe vendi ku e blejnë tokën shoqëritë tregtare, si dhe nga interesi i huave dhe taksave
të vendosura nga pushteti lokal dhe qendror. Për shembull, pas Luftës së Dytë
Botërore, qytetet kryesore të Shteteve të Bashkuara dëshmuan zhvillim të pamasë të
periferive. Deri-diku kjo ishte pasojë e diskriminimit etnik dhe prirjes së të bardhëve
për t’u larguar nga zonat e brendshme të qytetit. Megjithatë, mendon Harvey, kjo u bë
e mundur vetëm si rezultat i vendimeve të shtetit për t’u bërë lëshime në taksa
blerësve të shtëpive dhe firmave të ndërtimit, dhe si rezultat i ngritjes së strukturave të
veçanta kredidhënëse nga institucionet financiare. Këto siguruan bazën për ndërtimin
dhe blerjen e shtëpive të reja në periferitë e qyteteve dhe në të njëjtën kohë nxitën
kërkesën për produkte industriale e për vetura. Rritja e përmasave dhe e lulëzimit të
qyteteve të vogla e të mëdha në jug të Anglisë në vitet 1960 lidhet drejtpërdrejt me
rënien e industrive të vjetra në veri dhe me kalimin më pas të investimeve drejt
mundësive të reja industriale.
Castells: urbanizmi dhe lëvizjet sociale

Ashtu si Harvey, Castells thekson se forma hapësinore e një shoqërie lidhet ngushtë
me mekanizmat e përgjithshëm të zhvillimit të saj. Për t’i kuptuar qytetet ne duhet të
shohim proceset nëpërmjet të cilave krijohen dhe shndërrohen format hapësinore.
Pamja dhe veçoritë arkitekturore të qyteteve dhe rrethinave shprehin luftëra dhe
konflikte midis grupeve të ndryshme të shoqërisë. Me fjalë të tjera, mjedisi urban
përfaqëson manifestime simbolike dhe hapësinore të forcave sociale më të gjera. Për
shembull, gratacielat mund të jenë ndërtuar sepse mendohej që ato do të sillnin fitime,
por, nga ana tjetër, ndërtesat gjigante ‘simbolizojnë pushtetin e parasë mbi qytetin
nëpërmjet teknologjisë dhe vetëbesimit, dhe janë katedralet e periudhës së lindjes së
kapitalizmit korporat’ (Castells, 1983, f. 103).
Në dallim nga sociologët e Çikagos, Castells e sheh qytetin jo vetëm si
vendbanim të dallueshëm – zonë urbane – por edhe si pjesë përbërëse të proceseve të
konsumit kolektiv, të cilat nga ana e tyre janë një aspekt i qenësishëm i kapitalizmit
industrial. Shtëpitë, shkollat, shërbimet urbane dhe ambientet për kohën e lirë janë
mënyra me anën e të cilave njerëzit ‘konsumojnë’ produktet e industrisë së sotme.
Sistemi i taksave ndikon në atë se kush mund të blejë ose të marrë me qera dhe ku, ose
kush mund të ndërtojë dhe ku. Korporatat e mëdha, bankat dhe shoqëritë e sigurimeve
që ofrojnë kapitalin për projektet e ndërtimit, kanë pushtet të madh në këto procese.
Por edhe organet shtetërore ndikojnë drejtpërdrejt në shumë aspekte të jetës së qytetit
nëpërmjet ndërtimit të rrugëve dhe ndërtesave të banimit, planifikimit të gjelbërimit, e
kështu me radhë. Forma fizike e qyteteve është kështu produkt i forcave të tregut dhe i
pushtetit të qeverisë.
Por natyra e mjedisit të krijuar nuk është rezultat vetëm i veprimtarisë së
njerëzve të pasur e me pushtet. Castells e vë theksin në rëndësinë e luftës së grupeve
të paprivilegjuara për të ndryshuar kushtet e jetës. Problemet urbane nxitin lëvizje
sociale që lidhen me përmirësimin e kushteve të strehimit, protestat kundër ndotjes së
ajrit, mbrojtjen e parqeve dhe ruajtjen e gjelbërimit, si dhe me luftën kundër zhvillimit
të ndërtimeve që ndryshojnë natyrën e një zone. Për shembull, Castells studioi lëvizjet
e homoseksualëve në San Francisko, lëvizje që çuan në ristrukturimin e zonës së tyre
në bazë të vlerave kulturore të saj – duke mundësuar zhvillimin e shumë organizatave,
klubeve dhe lokaleve për homoseksualët – dhe zunë vend të dukshëm në politikën
vendase.
Harvey dhe Castells theksojnë se qytetet janë mjedise thuajse tërësisht
artificiale, të ndërtuara nga njerëzit. Edhe zonat më rurale nuk i shpëtojnë ndikimit të
ndërhyrjes njerëzore dhe teknologjisë moderne; veprimtaria njerëzore ka riformuar
dhe riorganizuar botën e natyrës. Ushqimi nuk prodhohet për banorët vendas, por për
tregje kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa në bujqësinë e mekanizuar toka është e
nëndarë me rreptësi dhe me përdorim të specializuar, e renditur në modele fizike që
kanë pak lidhje me veçoritë natyrore të mjedisit. Ata që jetojnë në ferma dhe në zona
rurale të izoluara, janë të lidhur nga pikëpamja ekonomike, politike dhe kulturore me
shoqërinë e gjerë, sado të ndryshme të jenë disa prej mënyrave të tyre të sjelljes nga
ato të banorëve të qytetit

Pikëpamjet e Harvey-t dhe Castells-it janë diskutuar gjerësisht dhe vepra e tyre ka
qenë e rëndësishme në riorientimin e analizës urbane. Në dallim nga drejtimi
ekologjik, pikëpamjet e tyre e vënë theksin jo në proceset hapësinore ‘natyrore’, por
në mënyrën se si toka dhe mjedisi i krijuar pasqyrojnë sistemet sociale dhe politike të
pushtetit. Kjo përbën një kthesë të dukshme në kahun e studimeve. Megjithatë idetë e
Harvey-t dhe të Castells-it shpesh jepen në mënyrë mjaft abstrakte, prandaj nuk kanë
nxitur atë numër studimesh si Shkolla e Çikagos.
Në disa aspekte, pikëpamjet e Harvey-t dhe Castells-it dhe ato të Shkollës së
Çikagos zakonisht plotësojnë njëra-tjetrën dhe mund të ndërthuren për të krijuar një
panoramë të gjerë të proceseve urbane. Kontrastet midis zonave të qyteteve, të
përshkruara në ekologjinë urbane, dhe indiferenca e jetës së qytetit vërtet ekzistojnë.
Por këto janë më të ndryshueshme nga ç’mendonte Shkolla e Çikagos dhe
përcaktohen në radhë të parë nga ndikimet sociale dhe ekonomike të analizuara nga
Harvey dhe Castells. John Logan dhe Harvey Molotch kanë sugjeruar një drejtim që
lidh drejtpërdrejt pikëpamjet e autorëve si Harvey dhe Castells me disa tipare të
këndvështrimit ekologjik. Ata bien dakord me Harvey-n dhe Castells-in se, duke u
shtrirë në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, tiparet e gjera të zhvillimit ekonomik
ndikojnë në jetën urbane në mënyrë mjaft të drejtpërdrejtë. Por këta faktorë të shumtë
ekonomikë, gjykojnë ata, përqendrohen nëpërmjet institucioneve lokale, përfshirë
veprimtaritë tregtare në zonat përreth, bankat dhe organet shtetërore, së bashku me
veprimtarinë e blerësve individualë të shtëpive.

Sipas Loganit dhe Molotchit, në shoqëritë e sotme mjediset – toka dhe


ndërtesat – blihen dhe shiten, njëlloj si mallrat e tjera, por tregjet që strukturojnë
mjediset e qytetit, ndikohen nga masa në të cilën grupe të ndryshme dëshirojnë të
shfrytëzojnë pronën që blejnë ose shesin. Si rezultat i këtij procesi lindin shumë
konflikte dhe tensione – dhe këta janë faktorët kyç në strukturimin e rajoneve të
qytetit. Logan dhe Molotch vënë në dukje se në qytetet e sotme shoqëritë e mëdha
financiare dhe tregtare përpiqen vazhdimisht të intensifikojnë shfrytëzimin e tokës në
zona të veçanta. Sa më shumë të veprojnë kështu, aq më shumë mundësi ka për
spekulime me tokën dhe për ndërtime të reja me fitim. Këto shoqëri kanë pak interes
për pasojat sociale dhe fizike të veprimtarisë së tyre në një rajon të caktuar – për
shembull, nëse shkatërrohen ndërtesat e vjetra të banimit për t’ja lënë vendin
ndërtesave të reja të mëdha për zyra. Proceset e rritjes, të nxitura nga firmat e mëdha
që merren me zhvillim pronësie, shpesh bien ndesh me interesat e shoqërive tregtare
ose të banorëve vendas, të cilët mund të përpiqen të bëjnë qëndresë konkrete. Njerëzit
bashkohen në grupe komuniteti, me qëllim që të mbrojnë interesat e tyre si banorë.
Bashkime të tilla vendore mund të bëjnë fushatë për rritjen e kufizimeve në ndarjen e
zonave, ndalimin e ndërtimeve të reja në zonat e brezave të gjelbër ose në parqe, ose
mund të ushtrojnë trysni për rregulla më të leverdishme lidhur me qeratë.

You might also like