You are on page 1of 1

Përdorimi i bisfosfonateve për trajtimin e osteoporozës në Shqipëri përgjatë 2014-2021

Joana Mihani, Suela Këlliçi


Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, Shqipëri
Email i kontaktit : joana.mihani@gmail.com

Hyrje: Osteoporoza është një çrregullim i aparatit skeletik e cila karakterizohet nga ulja e
qëndrueshmerisë së kockave. Ajo paraqet një rrezik të shtuar për fraktura dhe po bëhet një
problem i madh i shëndetit publik, si pasojë e plakjes së popullsisë botërore. Problemi mund të
lehtësohet ndjeshëm me ndërhyrjen e hershme përpara se të ndodhë një frakturë. Në Shqipëri
ka shumë pak studime për osteoporozën dhe prevalenca e saj është vlerësuar të jetë 6.2%.
Bisfosfonatet orale përdoren si trajtime fillestare në shumicën e rasteve me osteoporozë.
Materiali dhe metoda: Kemi kryer një studim retrospektiv të përdorimit të barnave sipas të
dhënave të rimbursimit të barnave të publikuara në faqen zyrtare të Fondit të Sigurimit të
Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Shqipërisë nga viti 2014-2021. Kemi përdorur
metodologjinë ATC/DDD të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), versioni i vitit 2022,
për llogaritjen e përdorimit të barnave për trajtimin e osteoporozës nga skema e rimbursimit në
Shqipëri.
Rezultatet: Kërkimi ynë filloi në vitin 2011, por bisfosfonatet u futën në Listën e Barnave të
Rimbursuara (RDL) për trajtimin e osteoporozës në 2014. Që prej vitit 2014, përshkrimi i
bisfosfonateve për trajtimin e osteoporozës u rrit me shpejtësi, me nivelin më të lartë të
konsumit në vitin 2019, me 1.07 DDD/1000 banorë/ditë. Në vitin 2020 konsumi pati ulje, por
rritja vazhdoi në vitin 2021. Bisfosfonati i parë i përdorur për trajtimin e osteoporozës që ishte
pjesë e RDL, ishte acidi Ibandronic 150 mg në 2014. Në 2015 u shtua acidi Alendronic në
kombinim me Kolekalciferolin si trajtim alternativ. Përdorimi i të dy principeve aktive është rritur
por, që prej vitit 2018, acidi Alendronic dhe kombinimet e tij përbëjnë alternativën më të
preferuar në krahasim me Acidin Ibandronic, për trajtimin e osteoporozës në Shqipëri.
Konkluzione: Përdorimi i Bisfosfonateve është rritur përgjatë periudhës së studimit. Kjo mund
të jetë për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit të popullatës lidhur me problemet shëndetësore të
shkaktuara nga ndryshimet e stilit të jetesës. Megjithëse, nivelet e konsumit janë më të ulëta në
krahasim me vendet e tjera evropiane.
Fjalë kyçe: Osteoporozë, Bisfosfonate, Shqipëri

You might also like