Professional Documents
Culture Documents
Përshëndetje
Ndjehem shumë e nderuar që pata fatin të jem pjesë e organizimit të përvjetorit jubilar
të demonstratave të vitit 1981, këtu në Zvicër, ashtu siç jam ndjerë krenare kur kam qenë
pjesë e veprimtarisë së një organizate ilegale me një jetëgjatësi të madhe dhe me një
veprimtari të bujshme e me plotë suksese në Kosovë dhe në Perëndim. Jam krenare
gjithashtu që pata fatin që si studente të jem pjesë e angazhimit në demonstratat e vitit
1981 në Kosovë dhe që nga fundi i vitit 1981, të vazhdoj veprimtarinë e nisur në Kosovë
bashkë me dëshmorët: Kadri Zeka, Zijah Shemsiu e Nuhi Berisha, poashtu me
veprimtarët që nuk janë më në mesin tonë, por të cilët i kujtoj e do t’i kujtoj gjithmonë me
respektin më të madh si: Hasan Kadriu, Rexhep Halimi, Shahin Hajdini, Nexhmedin
Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tjerë të veprimtarisë patriotike e atdhetare që sot janë e
edhe për shkaqe objektive nuk ndodhen në këtë tribunë, me të cilët bëmë tubime,
protesta, demonstrata, fjalime e shkrime të pafund, deri me pushimin e aktivitetit të
Lëvizjes. Jam gjithashtu e lumtur që si gjithë populli shqiptar në mbarë globin ta shoh dhe
ta prek Kosovën e pavarur, ëndërr e jona kjo që nga dita kur dhamë betimin solemn para
më shumë se tri dekadash se „do të luftoj deri në pikën e fundit të gjakut për lirinë e
atdheut…“ Këtë betim u përpoqëm ta mbanim dhe punuam aq sa mundëm për lirinë e
atdheut të gjithë bashkë dhe secili në mënyrën e vet, por një respekt të veçantë, nder e
përulje për ta, për ditët që po gëzojmë, meritojnë dëshmorët; ata që dhanë maksimumin
për ditët e sotme. Ata që derdhën gjakun dhe e vulosën lirinë e shenjtë, të cilën na e lanë
amanet, e të cilin amanet duhet përmbushur patjetër. Rrota e historisë nuk kthehet prapa,
ajo ecën vetëm përpara, pavarësisht që këtyre rrotave po u vihen nganjëherë gurë aq të
rëndë sa të na duken madje edhe të pakapërcyeshëm.
Hyrje
Për këtë tribunë, që i kushtohet Pranverës së vitit 1981, kam zgjedhur temën për
gruan, sepse jo rrallë kjo pjesë vitale dhe shumë e rëndësishme, gjysma e popullit, po
lihet me dashje ose pa të, nën hije. Historia jonë e deritanishme kontributin atdhetar të
gruas shqiptare, në rastin më të mirë e ka parë si një plotësim të aktivitetit të burrit, pa një
peshë të mirëfilltë përmbajtësore për proceset historike, si një vlerë dekoruese dhe
gjithnjë në funksion shoqërues por asnjëherë në atë qendror, ani se ajo kontribuoi për një
vlerësim më ndryshe. Rrjedhimisht piedestali i saj ngrihet ose kufizohet në stereotipat si:
„Grua burrnore“, „shoqëruese besnike“, „krahu i djathtë i burrit“, pastaj në formulimin
denigrues se si „prapa një burri të suksesshëm, qëndron një grua e suksesshme“ etj. Pra,
ajo afirmohet dhe hyn në historinë tonë në një mënyrë të çuditshme - falë burrit, pas burrit,
nëpërmjet burrit, pastaj si shoqëruese besnike e tij, kurrë në saje të vlerave të saja që
realisht i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë. Mendoj se do të duhej një vetëdijësim i dyfishtë
gjinor: fillimisht i burrave për atë se nuk kanë kapacitet më të madh kundruall grave, por
dhe është i domosdoshëm vetëdijësimi i grave për vetë faktin se potenciali i tyre nuk
është më i paktë se ai i burrave.
* * *
Tani po i kthehem temës të cilën jam përpjekur ta bëjë me përkushtimin më të madh,
për të dëshmuar atë që e thashë më herët se kontributi i jashtëzakonshëm që ka dhënë
gruaja shqiptare në të gjitha etapat e luftës për liri e emancipim, është dëshmuar në
vazhdimësi. „Pjesëmarrja e gruas në organizimin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
dhe në Mërgim“ Kam zgjedhur këtë temë, siç kam shkruar edhe më lart, së pari, se e kam
për zemër, dhe së dyti, pasi mendoj se e njoh mirë, duke qenë edhe vetë pjesë e disa
ngjarjeve të rëndësishme, siç janë demonstratat e pranverës së vitit 1981 dhe kontributin
e gruas në këto demonstrata si brenda në Kosovë, poashtu edhe në mërgim.
I hyra këtij historiku të shkurtër të kontributit të gruas gjatë historisë, duke sjellur edhe
emra e mbiemra, për të treguar me fakte se në çdo ngjarje të rëndësishme historike,
gruaja jo vetëm që ishte pjesëmarrëse në to, por qëndroi në ballë të tyre. Emrat e
lartpërmendur e dëshmojnë këtë më së miri.
Duke filluar prej demonstratave të vitit 1968, shtohet numri i femrave të organizuara në
grupe të ndryshme ilegale, me një fjalë, në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim.
· Në Gjilan në këtë kohë formohet Grupi „Shqiponjat e arta“ në të cilin bëjnë pjesë
disa vjaza, ndër to: Sanije Osmani, Ilmije Korça dhe Saime Isufi.
· Teuta Hadri, Teuta Bekteshi, Remzije Limani, Naime Maçestena, Shukrije Gashi,
Qefsere dhe Shyhrete Malaj, të cilat vepronin në Prishtinë;
· Xhevë Krasniqi - Lladrovci, Xhyle Hyseni dhe Sevdije Krsniqi, vepronin në Drenicë;
· Saime Isufi, Kadrije Sejdullahu, Hanife Malaj, Rexhije Malaj, Saime Limani, Xhezide
Osmani, Suzana Basha e shumë të tjera vepronin në Gjilan.
· Lumnije Musa, Burbuqe Hadri, Elida Zherka, Iliriana Nura, Sakibe doli, Lemane
Dobruna, Xhemile Hoti, Sevdije Zeqiri, Fiqerije Zeqiri, Nora Zherka, Iliriana Bytyqi,
vepronin në Gjakovë.
MOTRAVE KOSOVARE
Të ngirtemi në këmbë!
Nga ky numër i madh i grave dhe vajzave të inkuadruara në grupe të ndryshme ilegale,
por me qëllimin e përbashkët: çlirimin nga zgjedha pushtuese e serbomëdhenjve dhe
bashkimin me Shqipërinë amë, del konkluzioni se ato bashkë me burrat e djemtë e
grupeve që u përkisnin, u kalitën e u përgatitën për shpërthime të revoltës e të
pakënaqësisë, duke filluar me kërkesa për kushte ekonomike deri tek ato politike. Dihet
mirëfilli se anëtarët e grupeve ilegale, ishin në vazhdimësi duke u përgatitur teorikisht, me
leximin e studimin e historisë së vërtetë kombëtare, të botuar në shtetin amë, por edhe
vepronin praktikisht duke shkruar e shpërndarë trakte e pamflete, literaturë „të ndaluar“ e
gazeta si: „Liria“, Lajmëtari i lirisë“, „Bashkimi“ etj., në këtë mënyrë ata po përgatisnin
masat popullore për shpërthime të mëvonshme, duke i ndërgjegjësuar dhe vetëdijësuar
ato se kush ishin armiqtë e popullit tonë, që Kosovën e pasur me flori e kishin shndërruar
në shtëpi të varfër të Evropës, duke ia vjedhur pasuritë, mbi të cilat po flinte ajo.
Gratë - veprimtare të viteve 80'të në Kosovë dhe mërgatë.
Ndonjëherë, modestia duhet lënë anash, për hir të së vërtetës. Prandaj do ta tregoj
realitetin e asaj date në mënyrë që të mos bëhen gabime të tilla gjatë shkrimit të librave
në të ardhmen në mungesë të informacionit.
- Nuk ishte student ai që e hodhi pjatën e ushqimit, por ishte studente dhe kjo isha
unë, Bahrije Kastrati, tani me mbiemrin Bislimi.
- Nuk ishte insekti arsyeja e hedhjes së pjatës, por e gjitha ishte një skenar i përgatitur
nga studentët që vepronin ilegalisht për çështjen kombëtare e të cilët ishin: Xhevë
Krasniqi-Lladrovci, Agim Paçarizi, Teuta Hadri, Bahrie Kastrati, Ali Lajçi, Bajram Kosumi,
Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi, Jonuz Jonuzaj, Ajete Lloluni, Shemsi Syla e të tjerë, të
cilët kontribuan e që hëpërhë nuk më kujtohen, pasi që kanë kaluar 29 vjet nga ajo kohë.
- Për këtë akt kemi diskutuar për një kohë të gjatë me Xhevën, Agimin dhe Babën Dyl
(është fjala për të ndjerin Avdyl Krasniqi - babanë e Xhevës) për formën e fillimit të
protestës, mënyrën, momentin dhe kohën e përshtatshme që ky demonstrim të jetësa më
i fuqishëm dhe i suksesshëm për arritjen e qëllimit tonë, i cili fillimisht do të shpalosej si
protestë për përmirësimin e kushteve të studentëve në universitete dhe në mensë.
Ishte ora 18.00, ndërsa në Mensën e Studentëve ndodhej një numër shumë i madh
duke pritur për të ngrënë atë bukë të paktë që na jepnin. Pa ekzagjerim them se studentët
prisnin me orë për t’u ushqyer. Pas pritjes 50-minutëshe erdhi edhe radha ime për ta
marrë tabakun me ushqim. Në atë moment, me një guxim që as sot e kësaj dite nuk e di
se si më erdhi, e përplasa tabakun e ushqimit përtokë. Ky, zonja dhe zotërinj, ishte
moment kyç pas të cilit studentët e tjerë filluan t’i përplasin të gjitha tavolinat e mensës si
dhe të brohorasin parullën: DUAM KUSHTE MË TË MIRA!“. Pra, ky qe momenti i cili edhe
nxiti organizimin e demonstratave të tjera në vijim“. („Veprimtaria e Gruas në Lëvizjen
Kombëtare për Çlirim“, F. 369, 370, 371) Ndërkaq dëshmori Nuhi Berisha, i organizuar në
OMLK dhe pjesëmarrës në demonstratën e 11 marsit 1981, për këtë ngjarje shkruan në
librin: „Pranverë e luleve të kuqe“: „…në mensë kishte shumë studentë…disa studentë
kundërshtuan për ushqimin e dobët… Pasi erdhën disa punëtorë të Qendrës së
Studentëve për të biseduar me ne na thanë: „Në daçi merreni këtë ushqim, në daçi lëreni,
tjetër ushqim nuk ka!“ Atëherë një student i mëshoi tavolinës dhe u kthye nga studentët që
hanin bukë, duke u thënë: „Ngrehuni, çfarë po prisni, asnjë të mos e marrë këtë ushqim!“
Filluan të përmbysen karrigat dhe një vajzë e hodhi lart tabakun e ushqimit…“
Shkëndija e parë plasi. Dhe mjaftoi kjo shkëndijë që në fillim u duk e vogël, por mjaftoi
kjo, që të veprohej më tutje, për organizimin e protestave të reja edhe më të fuqishme.
Flitej kudo për protesën e 11 marsit. Punohej në mesin e studentëve të organizuar, për
organizimin e demonstratave të ardhshme. Ndodhi demonstrata e 26 marsit. Përsëri
studentët në ballë të organizimit e në ballë të demonstrimit. Studentët u bashkuan në
oborrin e konvikteve me flamur dhe parullat e shkruara në çarçafët e tyre: „Duam kushte!“,
„Duam shokët!“ „Duam liri!“ „Poshtë tradhtarët!“ „Trepça është jona!“ ndërkaq më vonë,
më e madhja nga të gjitha u duk parulla: „Kosova Republikë“. Studentët marshuan drejt
qytetit. Por para mensës, policia nga frika dhe për t’i ndaluar studentët, hodhi gaz
lotsjellës mbi ta. Protesta vazhdonte, përkundër barrikadave me gaz lotsjellës, me kërbaç
e kërcënime. S’kishte forcë ta ndalte rininë tonë heroike, të cilës iu bashkua edhe masa e
nxënësve e më pas edhe masa populore. Studentët u përleshën me policinë e armatosur.
U rrahën e u burgosën. Revolta rritej dhe ajo çoi në shpërthime më të mëdha. Shpëthyen
demonstratat gjithëpopullore të 1-2 e 3 prillit. Në ballë të tyre si gjithmonë dolën studentët
si dhe vepritmarët e organizatave të ndryshme. Në ballë të tyre si gjithnjë edhe vajzat
shqiptare. Në këto demonstrata edhe ajo i pëson të gjitha pasojat e pjesëmarrjes. Ajo
përndiqet, ajo merret në të ashtuquajturat biseda informative; ajo vritet, është akuzuar për
nacionalizëm dhe irredentizëm; ajo përjashtohet nga puna; është nxjerrë në gjyq dhe
është dënuar si:
Teuta Hadri,
Myrvete Dreshaj,
Ajshe Gjonbalaj,
Hava Shala,
Zyrafete Muriqi,
Drita Kuçi,
Hidajete Kelmendi,
Zoge Shala,
Safete Krasniqi,
Trëndelinë Labënishti,
Gjyle Krasniqi,
Shahide Kabashi,
Shukrie Rexha,
Naime Maçastena,
Flora Brovina,
Nazlie Zogaj,
Elmaze Grainca,
Hafide Topalli,
Atë vit na vranë, na burgosën e gjakosën, na zgjatën « pushimet » për një muaj më
shumë, por për çudi (gjë që s’kishte ndodhur kurrë deri atëherë) për ne ishin siguruar
edhe autobusë special, të cilët do të na bartnin nga konviktet deri në qytetet apo fshatrat
tona. Lëre se na i sillnin autobusët, por ata për herë të parë në jetën tonë studentore i
kishin organizuar të na barnin falas dhe në oborrin e konvikteve. Shumëçka na dhanë atë
pranverë të përgjakshme falas: plumba, helm, shqelma, grushta, kërbaçë, fyerje, sharje,
burgje, varre…e edhe autobusë! Tri ditë rresht autobusët po bartnin studentët. Unë
shkova e fundit t’i mblidhja plaçkat që i kisha në dhomë. Me mua ishin edhe dy shoqe që
kishin ardhur për të më ndihmuar. Arritëm para konvikteve. Ç’të shihje! Heshtje varri. Para
konvikteve qëndronte një veturë policie e gatshme për të futur brenda çdonjërin nga ne,
për zërin më të vogël që mund të lëshonim. „Aktivistët“ aty-këtu i drejtonin studentët për
në theqafje, në mënyrë që të mos u linin hapësirë të silleshin rreth konvikteve ose
fakulteteve. Të shkonin ku të donin, ama ku të donin, vetëm larg e më larg vatrës së
zjarrit…
Desha të hyja bashkë me shoqet në konvikt, mirëpo „rojtari“, të cilin nuk e kisha parë
kurrë, nuk më la të hyja, ashtu siç kisha hyrë gjatë tërë vitit. Bile ky „rojtar“ më kërcënoi se
nëse do të bëja fjalë, nuk do të më linte të hyja fare dhe se konvikti ishte mbyllur dhe
s’lejohej të hynte njeri brenda. Megjithatë, unë këmbëngula se do të merrja plaçkat e mia
dhe ai nuk rezistoi më por u zbraps. Më kërkoi librezën e konviktit dhe letërnjoftimin.
Shoqet që ishin me mua, nuk i la të hynin. Më dha me vete një shoqëruese (shërbëtore),
e cila me përtesë të madhe m’i hapte dyert njërën pas tjetrës. S’më dukej ai konvikt që
kisha njohur për katër vjet me radhë. Ai ngjante me një burg të vërtetë. Me një burg ku orë
e çast dëgjohet tringëllima e vrazhdë dhe e rëndë e çelësave të ashpër, tek hapin e
mbyllin dyert. Shërbëtorja u mërzit duke hapur e mbyllur dyert, sa në një çast shpërtheu
nga inati : « Sikur t’i kishin mbushur lira këto konvikte, e kanë frikë se mos ua merr kush !
» E shkreta nuk kuptonte, se këto konvikte kishin mbajtur brenda tyre njerëz me vlera më
të mëdha se sa lirat që përmendi e shkreta!
Hyra në dhomë. Dhoma ishte e shkretë. Shoqet e dhomës kishin mbledhur plaçkat dhe
ishin larguar… Nuk isha përshëndetur me to…Nuk na lanë kohë të përshëndeteshim… E
ku e dija unë se do të ndahehsha nga shoqet në atë mënyrë?!... Secila nga to më kishte
lënë një gjë të vogël në shenjë kujtimi, sepse nuk i dihej jetës… Mblodha plaçkat dhe
shumë e mërzitur dola nga konvikti. Autobusi po na priste. Na urdhëruan të largoheshim
sa më parë nga këtu. Kishin frikë se mos shpërthente prap ndonjë shkëndijë revolte.
Hipëm në autobus. Për çudi nuk njihnim asnjërin nga studentët. Një shoqe imja nuk deshi
të hynte në autobus nga frika se nuk do të na na shpiente në qytetin tonë. I thashë me zë
të rreptë dhe nga zemërimi që më kishte kapluar në ato çaste : « Hyr e mos bë fjalë, se
s’kanë ku na çojnë përveçse në Kosovë!» Ajo u bind. Hipi pa bërë fjalë në autobus.
Autobusi u nis… Unë ktheva kokën prapa të vështroja konviktet e mbetura shkret.
Vështroja me dhimbje oborrin e atyre konvikteve, ku kishim kaluar atë pranverë me netë
të tëra pa gjumë ; aty ku kishim filluar demonstratën e 11 e të 26 marsit ; të 1-2 e 3 prillit;
aty ku ishim përleshur me ushtri e polici speciale; aty ku shoqet e shokët tanë kishin lënë
dorën, këmbën, syrin e veshkët ; aty ku gjaku ishte derdhur lumë ; aty ku agimet na kishin
gjetur zgjuar… tani oborri dukej si një varr i vërtetë ; si një varr i lënë në harresë dhe mbi
të pa mëshirë shkilte pa mëshirë këmbë e huaj… Ndërsa qëndrimi i veturës së policisë në
oborrin e konvikteve, ishte shenja më e pështirë me domethënien e saj të pështirë e të
urryer, për çdo njeri se çdo lëvizje ishte nën kontroll, se diçka e madhe kishte ndodhur,
dhe pritej të përsëritej në atë oborr…
* * *
Pati edhe të atillë që u mashtruan se duke na larguar nga konviktet, çdo gjë do të
përfundonte me kaq, por e patën gabim : lufta veçsa kishte filluar… Nga ato që kam
përshkruar më lart për kontributin e gruas në demonstratat e vitit 1981 janë një dëshmi se
gruaja ishte po aq aktive dhe po aq pjesëmarrëse në demonstrata sikurse edhe burri. I
përjeton të gjitha pasojat siç i përjeton edhe burri. Prandaj e ka dhe do ta ketë vendin e
saj në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare për Çlirim. Pra nga ato që thashë më lart, dhe
që ka mbetur shumë pa u thënë, kam përmendur emra e mbiemra, e them me përgjegjësi
se demonstratat e vitit 1981 pa dyshim kanë qenë të organizuara dhe të udhëhequra nga
veprimtarët e grupeve ilegale që vepronin atë kohë në Kosovë. Prandaj çdo përpjekje për
të shtrembëruar dhe vënë në dyshim organizimin e tyre dhe pse, kush e si i organizoi ato,
me përbuzje bien poshtë dhe janë gënjeshtra me bisht.
PJESA E DYTË:
Ndërsa sa i përket aktivitetit të gruas shqiptare në mërgim, duke qenë larg vendit, me
mallin e pashuar për të dhe njerëzit e saj, ajo iu bashkangjit të gjitha protestave e
demonstratave, duke dalë edhe në ballë të tyre me flamur e parulla. Në kohën që në në
Kosovë Beogradi po bënte gjëmën mbi vëllezërit e motrat e saj, mori pjesë që në thirrjen e
parë për demonstratë, më 11 prill 1981 në Bernë, duke ngritur zërin e saj protestues si
nënë, motër e bashkëshorte, në përkrahje të demonstratave dhe kërkesave të rinisë
studentore e të popullit të Kosovës. Pas Bernës, ajo vazhdoi të protestojë edhe në
demonstratat tjera të organizuara gati në çdo fundjavë gjatë pranverës dhe verës së vitit
1981 në Perëndim, si në atë: të Cyrihut, të Shtutgartit, të Dyseldorfit, të Mynihut, të
Gjenevës, të Brukselit etj. Për fat të mirë ekzistojnë edhe pak dokumente në fotografi si
dëshmi të asaj kohe, për pjesëmarrjen e gruas në radhët e para të demonstruesve. Gratë
paraqiten zakonisht me plis në kokë, duke emetuar kështu heroinën tonë, Shotë Galicën,
apo me veshje kuq e zi, me ngjyrat tona simbolike.
Ne jemi një popull i vogël përballë një bishe të madhe, por jemi të fortë e të
pamposhtur, sepse në zemrat tona kemi indinjatë e urrejtje të thellë për ata që na i
shkelën vatrat dhe na i grabitën pasuritë“. Kjo e re vazhdon të flasë më tutje për kohën e
errët të Rankoviçit, të Titos e të Kolishevskit, duke theksuar se: „Klika revizioniste
jugosllave gjithmonë ka dënuar e vrarë, por kurrë s’na ka mposhtur. Kjo klikë renegatësh
e preku popullin tonë në gjërat më të shenjta e më të shtrenjta. Ajo në të kaluarën e afërt
(në kohën e gjakpirësit Rankoviç) vrau e zhduku mijëra shqiptarë, dhe jo vetëm kaq. I
emigroi , u hyri në familje, cënoi me dhunë moralin e gruas shqiptare, pse ajo kishte
qëndisur një shami kuq e zi, apo pse në pajën e saj kishte punëdore me ngjyra simbolike.
Pra edhe paja e vajzave shqiptare i hynte në politikë renegatit Tito, Rankoviç, Kolishevski,
të cilët edhe sot po e tregojnë hijen e vet dhe hujin e ujkut të etshëm për gjak shqiptari.
Edhe sot bota e quajti me të drejtë Kosovën, „Shtëpia e varfër e Evropës“, të cilën
udhëheqja jugosllave e la të tillë me qëllim dhe tani kërkon t’ia shtjerë flakën dhe
dëshiron ta djegë me fëmijë në djep, me të rinj e të reja, me gra e burra. Por, s’e djeg dot.
Kosova prap do të ketë fëmijë, prapë do të ketë rini, sepse vetë është e re. Kosova do
të ketë liri, se për të po lufton e po derdh gjak sot. Ne gratë shqiptare nuk i lindim fëmijët
në epruveta, ne lindim shqiptarë me armë në brez, ne do të lindim e rrisim gjithmonë nipa
e mbesa të Shotës dhe të Azemit, Isa Boletinit e Bajram Currit, të Emin Durakut e Çerçiz
Topullit. Dhe do të mburremi para botës dhe brezave të ardhshëm me historinë tonë.
Çfarë u prish punë revizionistëve jugosllavë pse jemi popull patriot?... Çfarë mëkati bëri
populli ynë që kërkoi statusin e republikës? Kush janë irredentistët? Po pushtuesit? Kush
kujt ia turbullon ujtë?... Ne do të fitojmë. Por fitoret arrihen e mbrohen me përpjekje e
sakrifica. Me luftë e djersë. Betohemi me mendje, me zemër e grushta të bashkuar për
tokën, popullin, gjakun e derdhur e lirinë… Poshtë tradhtarët e atdheut! Nuk duam jetë pa
liri! Lavdi dëshmorëve të rënë për atdheun! I qofshim falë atdheut tonë të dashur, Kosovës
sonë të shtrenjtë!
Pra gruaja shqiptare në mërgim e indinjuar tej mase për atë që po ndodhte në Kosovë,
u rreshtua përkrah burrit të saj në çdo aktivitet për Republikën e Kosovës. Ajo ndihmoi,
inkurajoi e bashkëpunoi me burrin për ta çuar çështjen përpara. Ajo nuk i la fëmijët në
kopshte e çerdhe, por i mori me vete në protesta e demonstrata, në kohë me shi e me
borë, me rrebesh e furtunë, vetëm e vetëm për t’ua mësuar atyre rrugën e vështirë drejt
lirisë së Kosovës; rrugë të cilën këta fëmijë e mësuan mirë dhe s’e harruan e s’do ta
harrojnë kurrë. Pjesëmarrja e gruas bashkë me fëmijët në ballë të protestave e
demonstratave i la pa gojë gazetarët e shumtë zviceranë, gjermanë, belgë, francezë etj.,
si dhe autoritetet vendore, të cilët shtruan pyetje rreth këtij fenomeni të paparë
ndonjëherë. Pyetën prindërit se ç’donin fëmijët në këtë mes? Por nënat tona të indinjuara
me atë që po ndodhte në Kosovë ditën t’u përgjigeshin: „Të gjithë jemi ngritur në këmbë
dhe do të qëndrojmë në këmbë, derisa të pushojnë dhuna e terrori në Kosovë, deri sa të
fitojmë të drejtat tona!“
Përfundim
Saime Isufi,