You are on page 1of 3

Do të guxoja të shprehesha, se një ndër arsyet që u bë shkas për zgjedhjen e kësaj teme është

dhe ajo personale. Kur kemi marrë leksionet për Kasëm Trebeshinën dhe jetën e tij, e më tej
gjatë këtij studimi ku u njoha dhe më gjerë me biografinë e jetës së autorit, ku ai ishte viktimë e
sistemit të egër diktatorial për qëndrimet dhe idealet që mbronte, menjëherë ndjeva një lidhje
mes historisë së tij dhe historisë të të afërmve të mi, të cilët kanë qenë pre e sistemit dhe
padrejtësisht, për arsye të bindjeve të tyre janë burgosur dhe internuar. Ndoshta ky impakt prej të
cilit mbase i ndjej më shumë përjetimet e Kasëm Trebeshinës dhe pamundësinë e gjendjes së tij,
për shkak të rrëfimeve nga të afërmit e mi, u bë arsyeja parësore se pse vendosa të merrem me
një autor të tillë dhe veprën e tij.
Së dyti si një ndër arsyet që vendosa të bëj një punim diplome mbi Kasëm Trebeshinën do të
rradhisja dhe mungesën e studimeve për veprën e tij, konkretisht për atë të “Odin Mondvalsen”
dhe punimi im modest ndoshta do t’i shtohej murit të kërkimeve të tjera për këtë vepër.
Odin Mondvalsen është një ndër veprat e rralla në letërsinë shqipe e cila mbart në vete tipare
moderne si elementët e paradoksit, absurdes apo ato të ekzistencializmit, tipare sa interesante aq
dhe sfiduese për t’u zbërthyer. Këto tipare të veçanta siç nuk gjejmë rëndom në letërsinë tonë
ndikuan në përzgjedhjen e një teme të tillë, duke u marrë me analizën e tipareve të këtij lloji,
kuptojmë më mirë formimin e Kasëm Trebeshinës, dhe mënyrën e tij jo tradicionale të krijimit.
Nëpërmjet veprës “ Odin Mondvalsen” arrijmë të kuptojmë individin e përdhosur nga sistemi
diktatorial, dhe mekanizmat që një intelektual, mbrojtës i idealeve më të larta njerëzore do t’i
duhej të përdorte.
Në sajë të kërkimeve të bëra dhe nën dritën e tyre është arritur në strukturimin e punimit në 14
çështje, secila prej tyre përfaqëson nga një element të rëndësishëm në prozën e Kasëm
Trebeshinës “Odin Mondvalsen”. Vazhdimësi e këtij punimi janë dhe analizat e bëra rreth këtyre
çështjeve, të cilat do të çojnë në njohjen e një konceptimi origjinal tepër të rrallë në prozën
shqipe.
Është parë e arsyeshme që si fillim të njihemi me një jetëshkrim të autorit për të kuptuar më mirë
mënyrën sesi ai e konceptoi botën dhe kohën ku jetoi. Biografia e tij do të na tregojë më mirë
formimin e tij dhe ngjarjet e padrejta që pasuan jetën e tij, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër
do të bëheshin pikënisje apo bazë për krijimtarinë e tij.
Duke qenë se vepra “Odin Mondvalsen” përmban elemente të paradoksit, absurdes dhe
ekzistencializmit, ajo që të bie në sy kur lexon një vepër të tillë, është struktura e shprishur
narrative, e cila për një sy të jashtëm është krejt e pakuptimtë, ama e studiuar dhe e analizuar
ashtu siç duhej përfaqëson më shumë se pakuptimësinë. Si fillim ajo është përfaqësuese e një
modeli krejt të ri të narracionit larg atij klasik, dhe së dyti struktura narrative është përfaqësuese
e individit të shprishur mendërisht dhe të tjetërsuar nga sistemi shtypës e sundues në të njëjtën
kohë.
Meqenëse Odini nuk mund të ishte heroi tradicional i moralshëm që kërkonte realizmi socialist,
ai merr përmasat e antiheroit, një mision edhe më i vështirë, pasi do të haste me mospranimin
dhe përjashtimin nga bota e normalëve. Atij ndonëse i mungojnë tiparet e një heroi, të qenit
antihero e bën atë të plotëfuqishëm. Odini është i plotëfuqishëm në pasivitetin e tij, veprim në
vetvete i cili përfaqëson mospërputhjen me pikëpamjet e realizmit dhe sistemit socialist. Duke
qenë i destinuar të mos kuptohet kur shpreh idetë e tij dhe i pamundur të veprojë, Odini vepron
në pasivitetin e tij duke vepruar në brendësinë e moralitetit të tij.
Identiteti i vetëzgjedhur i antiheroit, është një zgjedhje e guximshme, ai vendos të shkëputet nga
origjina e tij dhe të zgjedhë si prejardhje dhe identitet një vend të cilit ndjen se i përket më shumë
siç ishtë Danimarka.
Gjuha paradoksale ashtu si dhe struktura narrative përfaqëson një ndër elementët e veprës
moderne dhe shprishjen mendore të individit, në të njëjtën kohë, nën petkun e çmendurisë i jep
Odinit lirinë e pakufij.
Në këtë punim “Vetvetja nëpërmjet tjetrit” nuk e ka parë “tjetrin” si inferior apo negative, por e
ka konsideruar ate si një mjet të nevojshëm që i jepte mundësinë Odinit të përfaqësonte veten e
tij ideale nëpërmjet një individi prej një vendi demokratik, përfaqësues të lirisë aq shumë të
munguar e të kërkuar.
Në vepër nuk vihet re vetëm distancimi mendor dhe psikologjik por edhe ai i shkallës fizike apo
absurdja fizike. Odini dëshiron të humbasë kontaktet tërësisht me një botë të tillë, ndaj dhe ai
gjendet në një spital psikiatrik burgu, vend në të cilin qëndrojnë individët e përjashtuar nga
shoqëria. Absurdja fizike konstaton dhe në mosveprimin fizikisht të personazhit si mënyrë për
t’u larguar nga realiteti i cili e dënoi atë dhe i jep mundësinë të veprojë intelektualisht.
Utopinë “Odin Mondvalsen” e krijon nëpërmjet dashurisë me vajzën e tij. Utopia është një vend
ideal, të cilën e prodhon grindja mes dy botëve, si shteg i daljes dhe i shpëtimit. Pohimi i ideales
është mohimi absolut i reales. Dashuria në këtë rast nuk përfaqëson vetëm marrëdhënien e
thjesht mes një burri dhe një gruaje, ajo ka një mision më të lartë, përfaqëson botën ideale të
Odin Mondvalsen, nëpërmjet shëmbëlltyrës së dashurisë, antiheroi krijon iluzionin e lirisë së
munguar e shpërfaqur në një ndjenjë aq universale, të fuqishme, e të pakontrollueshme siç
është dashuria dhe siç duhet të jetë liria.
Në vepër duhet pranuar se kemi prani të situatave që krijojnë humor, por jo të thjeshtë, kemi
praninë e atij që e quajmë humor të zi. Humori i zi është tipar i atyre individëve të cilët janë
tepër të formuar intelektualisht. Këta individë kanë aftësinë të krijojnë një humor të tillë në
situatat më të pakëndëshme apo të vështira, dhe duhet një formim i gjerë për ta kuptuar.
Humorin e zi mund t’a shikojmë dhe si një mjet që ka zgjedhur personazhi për t’u përballur me
botën e jashtme, apo për t’u ngushëlluar nëpërmjet tij në situatën në të cilën ndodhet.
Krahasimi me epokat e lashtësisë i jep veprës tipare universale, dhe e çon dukurinë e sistemeve
diktatoriale e shtypëse në gjenezën e tyre, shumë pas në kohë, në Egjiptin e Lashtë si për të
treguar primitivitetin e këtyre sistemeve i cili daton më shumë se 3 mijë vjet më parë.
Qëllimi i punimit lidhet me evidentimin dhe analizën e elementëve që formojnë korpusin e
paradoksit, absurdes dhe ekzistencializmit në veprën e Trebeshinës. Vepra “Odin Mondvalsen”
mund të jetë një nga veprat më pak të lëvruara, por kjo nuk e ndalon të jetë një përfaqësuese e
denjë e letërsise shqipe moderne, madje një ndër të parat me tipare ekzistencialiste dhe unike,
e cila do të ketë gjithnjë vendin e saj në letrat shqipe.
Me anë të këtij punimi jo vetëm që evidentohet krijimtaria origjinale e Trebeshinës por arrijmë
të shkrijmë barrierat kohore dhe zbulojmë tiparet psikologjike, mendësinë, qëndrimet politike e
shoqërore të kohës kundrejt individëve si Odin Mondvalsen. Në analizimin e këtyre tipareve
arrijmë në përfundimin se stili i Trebeshinës është krejt i lirë dhe i pakufij. Trebshina nuk njeh
kufij, në veprën e tij ai gjen mënyrën për ti thyer ato dhe për të shprehur vetveten e tij
origjinale. Janë pikërisht këto tipare që e bëjnë atë një autor unik dhe të veçantë në llojin e
krijimtarisë së tij.

You might also like