You are on page 1of 2

Ese krahasuese

Psalm për Kosovën- Elegji për Kosovën


-Azem Shkreli. -Mihal Hanxhari

Duke lexuar titujt e poezive, ajo që bie në sy, është ngjashmëria midis tyre: Psalm për
Kosovën dhe Elegji për Kosovën. Vetvetiu bëhet një shpjegim i termave psalm dhe elegji.
Psalm është një këngë apo poemë e shenjtë, përdoret për të hyjnizuar, veçanërisht elementët
biblik. Elegjia është formë poetike, ajo rradhitet në lloj të poezisë lirike sepse zakonisht
shpreh dhimbje, vdekje apo humbje të diçkaje të rëndësishme.
Duke lexuar poezitë kuptojmë se te dyja trajtojnë të njëjtën temë, luftën dhe lirinë për
Kosovën. “Psalm për Kosovën” është poezia e shqetësimit të përhershëm të autorit, që ka të
bëjë me Kosovën dhe lirinë e saj. Të njëjtin koncept e gjejmë dhe në poezinë “ Elegji për
Kosovën” ku e tërë kjo poezi është një himn tragjik, mbi fatin e Kosovës dhe përshfaqjes së
kërkimit për liri dhe shpëtim njëkohësisht: “Shpëto o Zot vetëm sytë e fëmijëve të Kosovës”.
Në të dyja poezitë kemi të pranishëm elementin biblik të zotit, duket se poetët i drejtohen atij
për t’i çuar drejt shpëtimit. Në poezinë e Shkrelit këtë gjë e shohim në vargun: “ Kur pikon
gjak/Kalliu,…” këtu kuptojmë se autori ka krijuar imazhin e kohës së kryqëzimit të Krishtit.
Në poezinë e Mihal Hanxharit, elementi i biblik apo i Zotit është i pranishëm në të gjithë
poezinë, që në hapjen e saj ku i drejtohet Zotit: “ Zot nëse njerëzit s’dinë të shohin sot…”
dhe më tej në të gjithë përmbajtjen e saj. Ashtu sikurse “Elegji për Kosovën” fillon me një
element biblik, të njëjtën ngjashmëri e gjejmë dhe tek “Psalm për Kosovën” në vargun e parë:
“Kur pikon gjak”. Prania e elementit të zotit tregon se sa i rëndësishëm është ai dhe se
pranimi i tij është mohimi i së keqes dhe rruga drejt shëlbimit të atdheut.
Përsëritja është figurë kryesore në poezinë e “Elegji për Kosovën” dhe duket se e gjithë
poezia ndërtohet në bazë të kësaj figure. Distiku “Zot nëse…” dhe “O zot shpëto” është më i
përsërituri në të gjithë përmbajtjen e saj. Të njëjtin mjet letrar e gjejmë të pranishëm dhe tek
“Psalm për Kosovën” ku fjala më e përsërtur është ndajfolja “kur”: “Kur pikon gjak..., kur
piqet vera.., kur hyn në gjakun tim”. Duket se përsëritja i jep ritëm poezive por është dhe një
element i fuqishëm për të përforcuar përjetimin emocional, ashtu dhe për të përforcuar
shkallëzimin e dramës së përjetimit.
Një detaj të rëndësishëm që e gjejmë në të dyja poezitë, është imazhi i nuses. Në poezinë e
Shkrelit në vargun: “Nusërore e të bëhem krushk” , nusja në këtë rast personifikon ardhjen e
lirisë në Kosovë, që do të ishte po aq e bukur sa një nuse në ditën e dasmës së saj, dhe ata të
cilët derdhin gjak për ardhjen e kësaj “nuseje” janë krushqit e dasmës së saj, pra janë ata
heronjë të cilët luftojnë dhe vdesin për të. Gjithashtu të njëjtin element e kemi në poezinë e
Hanxharit: “Oh lere o zot atë rrugë të gjatë ku nuset e Kosovës/ Po lindin yjet e Yllnajës së
Mjellmës “. Këtu autori i sheh nuset si bartëse të së ardhmes, bartëse të një trashëgimie që do
të ishin foshnjat e reja. Për autorin sjellësit e lirisë janë ata që derdhin gjak për ta sjellë atë,
dhe liria do të mbajë emrin e tyre: “ Dyqind qiparisa dy mijë qiparisa dyqind mijë
qiparisa…/Dhe ai do të jetë pylli i parë i Lirisë në botë". Qiparisi është një bimë e cila është
simbol i varrit dhe me to autori personifikon çdo dhënie jete për lirinë dhe se mbi to, do të
ndërtohen shtyllat e lirisë.
Të dyja poezitë mbyllen me një frymë martirizimi dhe se vdekja më e bukur është ajo për
lirinë e atdheut. Në poezinë “Psalm për Kosovën” në dy vargjet e fundit kemi: “ Më mëso
vetëm t’i bie/ Kitarës, më mëso të vdes bukur”. Pra për të vdesësh për atdheun është një
vdekje e bukur dhe me dinjitet. Gjithshtu kjo ndjenjë martirizimi na shoqëron dhe në
mbylljen e “Elegji për Kosovën” në tri vargjet e fundit, ku mbi varret e këtyre martirëve të
atdheut do të ndërtohen bazat e lirisë dhe çlirimit.
Të dy autorët dhe poezia e tyre zë një vend të të rëmdësishëm në korpusin e letrave shqipe
pasi krijimtaria e tyre shënoi një kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë. Çfarë tjetër kanë të
përbashkët është se në poezitë e tyre, ata zgjeruan spektrin tematik, e subjektivizuan dhe
intimizuan heroin lirik. Në të dyja poezitë e marra në konsideratë, vihet re se ato mbajnë një
peshë të rëndë emocionale, me elementët e patosit dhe logosit, të cilat do të vihen në shërbim
të subjektit psikologjik por edhe si një mënyrë për t’ju drejtuar lexuesit, dhe për të arritur t’i
përfshirë ata në subjektin e poezive. Në poezinë e Mihal Xhaferrit, ndjejmë dhe frymën e
njeriut të rebeluar që bën thirrje për ndryshim, duke qenë se dhe ai vetë ka qenë njeri
individualistë i rebeluar kundër mënyrës së jetesës dhe shkrimit në kohën e diktaturës.
Në të dyja poezitë mbizotëron motovi patriotik për atdheun por edhe ai biblik si qëndresa dhe
udhëtimi drejt lirisë. Përshkruhet në të dyja poezitë, dhimbja dhe shqetësimi për atdheun dhe
fatin e tij, e dëshira kaq e kërkuar për lirinë. Po në të dyja poezitë gjejmë elementin e jetës
dhe vdekjes, kuptojmë se gjaku i derdhur do të kthehet në humusin e nevojshëm për të
mbjellë farën e lirisë.

You might also like