You are on page 1of 6

Anton Pashku --Biografia

Lindi në Grazhdanik të Hasit të Thatë, me 1 ose 3 janar 1937 afër Prizrenit, i biri i Toninit dhe Getës. I
ati ishte nga Karashëngjergji dhe punonte bukëpjekës, ndërsa e ëma nga Zymi.[4] Familja e tij u
takonte Bytyçëve, i fisit Thaç, mbiemri Pashku u mbeti nga emri i gjyshit. Pak pasi lindi, familja u
vendos në Prizren, ku kaloi fëmijërinë. Ndërkohë, më 1951 i ati me familjen u zhvendos në Prishtinë, e
Antoni vijonte shkollimin në Prizren.[5]

Shkollën fillore dhe pesë klasë të gjimnazit të ulët i kreu në Prizren, kurse tri klasat e gjimnazit real,
bashkë me maturën, në Prishtinë. Që nga viti 1958 punoi në gazetën “Rilindja”, në fillim gazetar e më
vonë redaktor i rubrikës së kulturës.[5] Në tetor vitit 1971, pak muaj mbas botimit të Oh-ut, te faqet e
kulturës gazeta ”Rilindja” e Prishtinës u botua teksti polemik ”Vox clamanti in deserto”, nënshkruar
nga shkrimtarë të rinj, disa të njohur, ndër të cilët Anton Pashku. Ky u pa si manifest kundër realizmit
socialist, i doktrinës zyrtare në Shqipëri, më herët edhe në Jugosllavi, e cila ndikonte edhe në letërsinë
shqipe të Kosovës. Teksti i është atribuuar parësisht Anton Pashkut, ndonëse ai ishte nënshkruesi i
fundit, i teti. Kjo bëri që policia letrare në Shqipëri ta damkoste.[6] Skandali mori gati përmasa
politike.Më 1973 u inkuadrua në Redaksinë e Botimeve të NBG “Rilindja”, redaktor i prozës dhe
dramës. Pashku ka qenë edhe redaktor i revistës letrare Jeta e Re dhe revistës Fjala. Ka shkruar
kryesisht tregime, romane, drama. Tregimin e parë e ka botuar më 1955 në revistën letrare Jeta e Re.
[4] Ishte aktiv në vitet 1955-1976. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995.

Vepra --Cilësohet në brezin që hodhi themelet e prozës shqiptare në letërsinë shqipe në Kosovë, së
bashku me Adem Demaçin dhe Ramadan Rexhepin.

Anton Pashku është autor pa paramodel në letërsinë shqipe, por njëkohësisht është vetë model
specifik, thyes e konsolidues i traditës letrare shqipe.[9] Anton Pashku, specifikisht, është ndër të
parët shkrimtarë të letrave bashkëkohore shqipe, i cili veçohet për trajtimin e temave të vogla,
rrëfimin prej perspektivave të ndryshme, observimet psikonarrative, shpërfilljen e normave të
zakonshme të shkrimit letrar. Pashku eci kundër rrymës së realizmit socialist duke ngritur një kullë
letrare avangarde.[10] Duke qenë mënyrë krejt e re e shkrimit letrar në shqip, nuk u pranua
lehtësisht, për shkak se ishte shkrim pak si tepër labirinthik për praktikën letrare shqiptare dhe shijet
letrare të kohës.[11] Mungesa e lumturisë në letërsinë e Pashkut shihej me dyshim dhe mohim nga
kritika ideologjike komuniste e kohës.[9]

Tregime

Tregimin e parë "Në gjiri" e botoi në vitin 1955 në revistën letrare Jeta e Re ndërsa në vitin 1961
vëllimin e parë me tregime.[12] Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike;
ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku
tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: Nën qarr po rrinte vasha, Floçka,
Kulla, Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë, Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit,
Kënaqësitë e Megalopolisit, Anija e dehur.
Romani "Oh"

Oh është romani i parë modern në letërsinë shqipe, romani i parë që luan fort me kohën dhe
hapësirën. Ai, me strukturën dhe kompozicionin që ka, ka lëkundur kufijtë e zhanrit.[13] Ka shenja të
theksuara simbolike, shenja të antiromanit dhe të romanit të ri.[13][14] Me vlerat e veta të
pakontestueshme artistike, romani Oh ka bërë një ndikim të ngadalshëm por të fortë në prozën
shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij.

Drama

Anton Pashku është nismëtari i modernizmit të dramës shqipe, çelës udhe, posaçërisht i modelit të
dramës së absurdit.[15] Me dramat «Sinkopa» (1968) dhe «Gof» (1976), bëri një thyerje të ndjeshme
në mënyrën e të shkruarit të dramës shqipe. Forma dramatike pëson një ndryshim radikal, përsoset
dhe shndërrohet në një stimuluese të shprehjes së ideve me fuqi universale duke shfrytëzuar me
sukses gjuhën e metaforave dhe simboleve shumështresore, kuptimet e fshehura dhe nëntekstet e
vështira për t’i deshifruar. Pashku e afroi modelin e dramës shqipe me atë të simotrave europiane e
botërore duke e tejkaluar madje “horizontin e pritjes” së kohës së vet, qoftë e marrë kjo në raport me
modelet e aplikuara nga letërsia e kohës së tij, qoftë nga teatri dhe publiku, qoftë nga lexuesi ende i
papërgatitur, qoftë edhe nga kritika e cila ndiqte si standard vlerësimi parime të tjera tradicionaliste.
Risitë e tij mund të konstatohen qartazi brenda parametrave që ndiqte drama absurde, ajo surrealiste
dhe ajo ekzistencialiste në letërsitë e vendeve europiane.[16] Në rrafsh formal, stilistik e tipologjik, në
dramat Sinkopa dhe Gof aplikohen me sukses disa principe krijuese të postmodernizmit.[17]

Titujt e veprave
Tregime, Jeta e Re, Prishtinë, 1961
Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965
Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968
Sinkopa, dramë, Jeta e Re, Prishtinë, 1968
Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 1971
Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976
Vepra të zgjedhura
Kjasina, tregime të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë, 1973
Lutjet e mbrëmjes, tregime të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë, 1978
Tragjedi moderne, dramat Gof dhe Sinkopa, Rilindja, Prishtinë, 1982
Aventurat e tezes, tregime të zgjedhura, ASHAK, 2019
Shtëpia Botuese Rilindja në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime:
Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1986
Oh, Rilindja, Prishtinë, 1986
Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986Klubi i Poezise
rttcgteFesSSbrpuaeuonrsy 7,dSo 2r0l1ed7droh ·
VOX CLAMANTIS IN DESERTO

(Anton Pashku si hartues i platformës së parë publike kundër realizmit socialist.)

Duke pasur me shekuj, me decenje, me vite historinë njerkë ndërsa kulturën lëneshë, ne në këto anë,
gjithherë kemi trashëguar një traditë kulturale me kapërcime, me vonesa. Zënkat e njerkës me
thjeshtrën na kanë hutuar fare dhe shpesh herë jemi gjendur përballë një situate ku njeriu nuk di se
ku është fillimi e ku vazhdimi i punës, shpesh herë jemi ndodhur në udhëkryq dhe me plot dilema në
kokë. Orientimi i parë ka qenë disi stihik, i pamatur sa e si duhet. Dhe pikërisht në kohën kur krijuesi
domosdo do ta gjente rrugën e vet duke duke zbuluar protestën si të vetmin modus vivendi të vetin,
protestën së pari kundër fatit të vet, fatit historik dhe njerëzor në përgjithësi dhe si një synim drejt
harmonisë në mos universale shoqërore, së paku asaj artistike dhe me funksion artistik me të gjitha
implikimet që dalin prej tij, - dikush u kujtua të na ofrojë protektoratin e vet. Presioni ideologjik që
kërkonte edhe në letërsi një funksionalitet adekuat, një armë efikase ishte një domosdoshmëri për
konsolidimin e forcave orientuese në një drejtim të caktuar, të zgjedhur e të aprovuar unanimisht, por
që zyrtarisht u hoq me tejkalimin e vështirësive të para në stabilizimin e një mentaliteti dhe morali të
ri klasor që në vitin 1954. (shih: Stanko Llasiq:, Sukobi u knijzevnoj ljevici 1928-1953, Liber, Zagreb,
1970). Ky mecenat artificial historikisht i deplasur prej vitit 1954 e tutje dhe si një anakronizëm
flagrant në shkencën e letërsisë të ditëve tona mori forma të tjera të presionit për t’u zhdukur fare me
vendimet historike të Plenumit IV të Brioneve. LKJ preferoi lirinë e mendimit dhe të fjalës letrare
artistike konformë me kursin e ri të përforcuar. Ishte kjo një rilindje e njëmendtë edhe në art.
Mirëpo, tek ne kujdesi administrativ u zëvendësua me një kujdes atëror… Se ku na dolën në Kosovë
disa “poetë’’ e “kritikë” e na u bënë, ke parë ti?, etër të letërsisë shqiptare dhe predikatorë dorëlirë të
kulturës së masave të gjera. Këta nuk preferojnë ngritjen e masës në nivelin e artit të bukur. Sepse,
këta “dashamirë” të masës kanë frikë nga përparimi i masës. Duke dashur të “mbrojnë” masën edhe
nga më i vogli përparim në lëmin e artit, këta “dashamirë” të masës kërkojnë vepra letrare me një
“drejtpërdrejtshmëri” të çoroditur, kërkojnë një “sinqeritet” që tejkalon naivitetin e Kandidit të
Volterit. Kërkojnë një “porosi” me çdo kusht “të shëndoshë”, me çdo kusht “pozitive”. Shkurt:
kërkojnë që shkrimtari të bëhet pedagog që vuan nga kompleksi i kastracionit. Moralizator i
bezdisshëm. Parullaxhi i rrugëve. Konferencaxhi. Bejtexhi.
Reduktimi i krijimtarisë imagjinative artistike në një përdorim elementar, komunikativ, të thatë e
banal të gjuhës vërehet në pesëdhjetë përqind të veprave letrare që botohen tek ne. Në mos edhe më
tepër. I gjithë ky prodhim letrar i takon, me pak përjashtime, një gjenerate të tërë krijuesish, të cilët
vazhdimisht përsërisin “Ne kemi filluar prej fillimit…”, por asnjëri sish nuk pranon se edhe ka mbetur
poashtu në fillim të fillimit. Të gjithë thonë me plot gojën: “Ne kemi filluar prej asgjëje…”, por asnjëri
sish nuk vëren se ka mbetur po aty. Në një revistë letrare mbretëron një senilitet ideoartistik, një
shterpësi krijuese, një mosinformim apo edhe injorim total se çfarë po ndodh në letërsinë e vendit
tonë, të vendeve fqinje, apo të letërsive më të përparuara të Evropës. Në tjetrën qet krye një
mediokritet krijues nën nivelin e vlerave tona të njëmendta dhe mundësive reale ne fushën e
shkrimeve letrare, një çervish (jo eklektizëm doktrinar!) koncepcionesh, rrymash e orientimesh sa nuk
mund t’i caktohet fizionomia pos nëse thuhet se i ka të gjitha fizionomitë e mundshme, ose, më
saktësisht, se nuk ka fare fizionomi!
Dhe “kujdesi atëror” vazhdon. Në shtyp dalin biseda që shiten si intervista me personalitete të larta,
në të cilat bëhen pyetje plot dhembshuri dhe holli ndjenjash merren përgjegje prej një automekaniku,
prej një normalisteje, prej një barnatori, theksohet dhe insistohet deri në absurd e banalitet në “gojën
mjaltë e fjalët sheqer”, e të tjera, e të tjera, e të tjera.
Eh, fillimi i fillimit tonë! Vazhdimi i fillimit dhe përsëritja e fillimit! Repriza e fillimit! Kur, vallë do të
jetë mbarimi i fillimit?!...
Dhe “sinqeriteti” ynë i trashëguar, origjinal, vazhdon. Sinqeriteti? Në letërsi? Në mes “sinqeritetit”
dhe vlerës artistike nuk ka kurrfarë lidhjesh… Vepra letrare ekziston: lotët që janë derdhur ose që
s’janë derdhur dhe emocionet personale janë zhdukur dhe nuk mund, as nuk duhet, të përtrihen.
“(Velek-Voren: “Teoria e letërsisë”, Nolit, Beograd, 1965, fq.98.).
Duke insistuar gjithnjë e gjithnë në “sinqeritetin” e lirë ne po vijojmë të shkruajmë si priftër e hoxhë,
si “etërit” për bijtë e tyre. Në shkrimet tona letrare vërshojnë bekime e mallkime në një anë dhe nga
ana tjetër: parulla dhe kushtrime, brohoritje dhe duartrokitje frenetike. Bota jonë “e sinqertë” e mbyti
fare botën artistike.

SHKRIMTARËT JANË REALITETOFOBË


Se sa jemi të veçuar prej synimeve më bashkohëse të fjalës dhe mendimit artistic e letrar flet edhe
fakti se një Simpozium aq i rëndësishëm shkencor që organizoi Instituti për letërsi e art i Beogradit në
shtator të vitit të kaluar lidhur me temën “Mundësitë e kritikës marksiste” – pati jehonë fare të vogël,
për të mos thënë se nuk pati kurrë farë jehone në mjedisin tonë. Kjo ngjarje e rëndësishme e jetës
letrare u shënua vetëm me një artikull në shtypin tonë të përditshëm dhe asgjë tjetër. Me injorancën
dhe njëherësh me prepotencën tonë kemi shkuar aq larg sa na ha mendja se kemi krijuar një oaz me
gjelbërim e ujë të pijshëm e të shëndoshë dhe çdo shmangje nga rregullat e ngurta e konsiderojmë si
një ikje në shkretëtirë.
E përditshmja e Beogradit “Politika”, prej 20 marsit deri më 24 prill, në dialogun e saj të organizuar
lidhur me temën “Ideologjia dhe krijimtaria”, çdo të shtunë ka sjellë kësi titujsh dhe nëntitujsh: “…
mendimi i fshehur (i artit) gjithmonë ka revoltuar shpirtin e gjithdishëm të ideologjisë”, “Në faktin
letrar gjithmonë mbetet para ndjenja, diçka që brengos”(Muharem Perviq); “Shoqëria e shëndoshë
ose ajo e cila dëshiron që njëherë të jetë e tillë, e që ka mbledhur mend pas utilitarizmit shkatërrues
që e degradon artin, edhe më tepër me rezultatet e shtypjes fanatike të kontemplacionit krijues dhe
të nënshtrimit aktit të aksionit, ka të gjitha arsyet që literaturën ta kuptojë si një fushë të lirë
eksperimentale të aktivitetit shpirtëror (Petar Xhaxhiq); “Arti si antiideologji”; “Vepra artistike është
antiideologjike sepse shkatërron sistemin e vjetër të ideve në emër të një sistemi të ri’’ (Dragan M.
Jeremiq); “Idetë e socializmit nuk i dezavuon realizimi socialist, veprat e të cilit janë kryesisht
mediokër dhe të dobëta; ai që i rrezikon shumë më tepër është dogmatizmi, i cili nuk lejon që arti të
zhvillohet lirisht jashtë skemave të ngushta, që afron një koncepcion i tillë i artit (Dragan Stojanoviq);
“Arti është një mosbesim i pashërueshëm i llojit të vet ndaj të gjithë asaj që paraqitet si e përkryer”
(Dr. Zdravko Maliq); “Ekziston tek ne një shpirt para sa kohësh i identifikuar si provincial, një shpirt i
përtacisë dhe i imobilitetit, i cili për zbulimin e vet do të donte të paisej me arsyetime metafizike,
duke i shpjeguar si “domosdoshmëri”, si pamundësi objektive” (Branisllav Millosheviq).
Megjithëse shkrimtarët tanë jetojnë në një klimë të këtillë të krijuar me programin e LKJ, që tregon
tolerancë dhe mirëkuptim ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit letrar, megjithëse ata janë të informuar
në përgjithësi me synimet më të reja, - prapëseprapë janë të prirur të mbyllin njërin sy për hir të …
komoditetit?... Ne jemi realitetofobë, njëherësh kemi frikë dhe urrejmë realitetin tonë, e dimë fare
mirë se nuk mund të vazhdojmë më kështu, se diçka duhet të bëjmë, por në çastet më vendimtare
themi: “Lësho teposhtë!”
“Një gjeneratë e tërë krijuesish ka mbaruar në koshat e redaksive tona!” siç tha një i ri. Dhe ky
vandalizëm i ditëve tona është bërë në emër të “ruajtjes së shëndetit shpirtëror të lexuesit tonë” dhe
në emër të ”kujdesit atëror për krijuesin tonë…”. Është organizuar një anketë e gjerë e hapët lidhur
me fizionomitë, koncepcionet ideoartistike letrare të revistave tona, lidhur me kompetencat e
redaktorëve dhe redaksive tona, janë ftuar ta thonë mendimin e tyre kritikë e letrarë të njohur,
shkrimtarë të afirmuar dhe kërkesat e tyre të parashtruara botërisht kanë pasur efekt të kundërt! Një
komision i posaçëm i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ka dalë botërisht me një komunikim në
këtë stil dhe përsëri efekti ka qenë i kundërt… Edhe, njëherë, lexues i dashur, lësho teposhtë!
Realitetofobia jonë shihet më së miri në faktin se shumë shkrimatë kanë se ç’të thonë botërisht, kanë
ide dhe mendime të guximshme, progresive, por nënshkrimi është i shtrenjtë!
Flasim nëpër kuluare e trotuare, nëpër byfe e kafene, flasim e përgojojmë, por pak trima ka në
tribunë. Një përkthim fatalisht i dobët nuk kritikohet fare, por edhe nëse ngjan të shënohet si i tillë
atëherë dalin reagime të pamatura, të papeshuara, sulme kundër realitetit, mësymje për ta fshehur
atë prej publikut lexues. Kështu krijohet etja e pashuar e quajtur honoraromani në përkthimet tona,
komercializëm në botimet tona, karierizëm në prezentimet tona. Kritika është fobi e jona! Deri kur më
“lësho teposhtë!”, lexues i dashur?

REGRES PSIKOLOGJIK
E keqja më e madhe nuk është mendimi kritik i pazhvilluar, naiv, shkollor, kuazishkencor, sociologjik,
skolastik, por pikërisht mentaliteti i disa kritikëve dhe i të kritikuarve. Me forcën e hatashme (dhe
gjithsesi qesharake ) të inercionit po kthehemi shpesh në fëmijëninë tonë letrare, në psikologjinë
infantile të shterzimeve të para letrare, kur si fëmijë letrarë do ta braktisnim saora shkrimin sikur të
mos dëgjonim çdo ditë lajka e lëvdata të pamatura për talentin tonë të pakrahasueshëm, për
invencionin tonë artistik, për luciditetin e mendimit, për besnikërinë ndaj traditës (dikush tha se nuk e
kemi fare?!...) e të tjera. Ky regres psikologjik po vepron edhe sot e gjithë ditën dhe autorët tanë
kërkojnë (dhe, mjerisht, po gjejnë) kritikë privatë, po parapaguhen (në mënyra të ndryshme) për
kritika pozitive, për vlerësime me supërlativa. Shkurt: janë mësuar me kritikën afirmative. Po qe se
ndonjë kritik (“i ri”, “i papjekur”) ka sy e faqe të japë ndonjë vlerësim negativ për prodhimin e tyre
letrar, atëherë dalin reagime me indinjatë, me ashpërsi e nervozizëm, me protestë në emër të popullit
(ç’hyn këtu kriteri artistik? -Ne shkruajmë për popull!), sakaq e shpallin kritikun “kritikuc”, antiletrar,
besa edhe antishqiptar, e të tjera e të tjera…
Mjerisht, thamë, as disa kritikë nuk janë shumë rezistentë ndaj këtij mentaliteti në regres. Në një anë
poltronizmi ndaj redaktorit të botuesit, shefit të njësisë punuese, udhëheqësit e të tjerëve, në anën
tjetër leverdia imediate komerciale, karierizmi dhe kolltukofagia, pastaj edhe mosinformimi dhe
kultura e mangët letrare bëjnë që një pjesë e kulturës tonë letrare të jetë një parazit në aktivitetin
tonë letrar. Në vend se të ishte një skalpel i pakompromis i dobësive në krijimtarinë letrare, ajo është
në rrezik të bëhet një zorrë qorre e letërsisë dhe ta humbë fare autoritetin që gëzon te lexuesi.
Metoda e realizmit socialist, e demoduar nga aspekti i shkencës së letërsisë të ditëve tona, ka shënuar
një devijim nga rruga e përgjithshme e zhvillimit të mendimit kritik letrar, ka krijuar një kozmetikë
qesharake mbi plagët dhe dobësitë tona krijuese, ka varfëruar gjuhën dhe shpirtin tonë. Një stagnim i
hatashëm është pasojë e kritereve të tejkaluara, mikroborgjeze që vlerësojnë pozitivisht vetëm
klishetë, skemat, uniformizimin aq të kritikuar, por gjithnjë të preferuar e të predikuar, heroin me çdo
kusht pozitiv, “të shëndoshë”, sepse gjoja e tërë bota tjetër na qenka e “sëmurë”, “borgjeze”,
“dekadente”. S’do mend se kjo metodë aplikohet tek ne për hir të komoditetit, si një paravan për t’u
mbrojtur prej kërkesave gjithnjë e më të rënda, gjithnjë e më rigoroze të artit të njëmendët, si një
pretekst për të fshehur inkompetencën profesionale dhe sterilitetin krijues.

HYSNI HOXHA, ALI PODRIMJA, SAMEDIN MUMXHIU, GANI BOBI, REXHEP ISMAJLI, EQREM BASHA,
MENSUR RAIFI, ANTON PASHKU.

Botuar në Prishtinë, në gazeten Rilindja, e shtunë, 2.10.1971

You might also like