You are on page 1of 10

BAGETI E BUJQESI

O malet' e Shqipërisë e ju o lisat' e gjatë!


Fushat e gjëra me lule, q'u kam ndër mënt dit' e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më jep nderë, më jep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s'e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ay s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zemëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m'erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell' i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat' i bardh' e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat'atje'shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet' e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.
Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t'ia thërres këngës e t'ia them;
Të shoh kedhërit' e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin' e sbukuruar, dhenë me lul'e me dritë.
Vashë bukurosh'e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q'e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir' e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
Pash' atje pas më të gdhirë,... ja atje përtej tek vinë!
O! sa bukuri ka tufa!
Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet' e plotë! I bekoftë Perëndia
POEMA BAGETI E BUJQESI (ANALIZE)
Poema "Bagëtia e bujqësia" u botua më 1886.Është një nga veprat më të bukura e më të frymëzuara
jo vetëm të Naimit, por edhe të krejt letërsisë së Rilindjes. Askush para Naimit nuk i kishte kënduar
dashurisë e mallit për atdhe, krenarisë kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare me një pasion
aq të zjarrtë e me një gjuhë poetike aq të ëmbël e të bukur. Me këtë poemë Naimi krijoi poezinë e
madhe të Atdheut e të natyrës shqiptare. Kjo vepër jo vetëm u bë e dashur për bashkatdhetarët, por
krijoi një traditë të pasur edhe për poetët që erdhën më pas. Siç e tregon edhe titulli, poema përbëhet
nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për punët e blegtorisë, për jetën dhe punën e bariut, kurse në
pjesën e dytë për punët e bujkut. Megjithatë, kjo s'është aspak një vepër për këto fusha të jetës. Prej
tyre poeti vetëm sa merr pikënisje për të shprehur ndjenjat e flakta patriotike. Në të vërtetë, vepra
është një himn poetik i frymëzuar, kushtuar Atdheut, natyrës dhe njerëzve të tij. Poema hapet me një
apostrofë madhështore, e cila me një qartësi të habitshme na sjell para syve bukuritë e natyrës
shqiptare, larminë dhe ngjyrat e saj, një peizazh të pafund plot dritë e gjallëri.
O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë
fushat e gjera me lule q'u kam ndër mend dit `natë
ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt' e kulluar
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar
do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni
o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni.
Motivi i mallit për atdhe zë fill që në këto vargje dhe e përshkron gjithë poemën. Larg vendlindjes, larg
maleve dhe fushave, larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve plot zhurma jetësore, poeti ndien një
mall zhuritës për çdo gjë shqiptare. Në atdhe gjithçka është e bukur, ndaj dhe dëshira për t'u kthyer
është e papërmbajtur dhe e flakët. Kjo dëshirë për të fluturuar drejt Shqipërisë është shprehur me
mjete poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron të ketë "vrapin e veriut… krahë pëllumbi…, nxitimin e
lumit me valë". Me apostrofa plot drithërim ai i drejtohet "fluturës krahëshkruar" ose "dallëndyshes
bukuroshe" që t'ia marrin zemrën e përmalluar e t'ia shpien në Shqipëri. Veçanërisht e goditur është
similituda, e ndërtuar mbi bazën e përfytyrimeve popullore të marra nga jeta e bariut dhe e bujkut
shqiptar:
Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e lë qingji kopenë
blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
e ta trembin ai s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë.
Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek jam, mua,
vjen me vrap e me dëshirë aty, në viset e tua.
Një tjetër motiv i fuqishëm, që e bën poemën të dashur e frymëzuese edhe për ne sot, është krenaria
për Shqipërinë, krenaria për emrin shqiptar. Me dashurinë dhe krenarinë e flaktë atdhetare, Naimi
shprehu një nga idetë më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare. Ai synonte të ngjallte tek
bashkatdhetarët ndërgjegjjen kombëtare, t'i bënte të vetëdijshëm se ishin bij të një vendi me vlera të
gjithanshme, të një atdheu që priste shumë prej tyre. Zëri i poetit buçet:
Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.
Ishte e para herë në letërsinë tonë që një gjë e tillë shprehej kaq bukur, me kaq zjarr e përkushtim.
Në këto dy vargje Naimi mishëron një ide të madhe e të përjetshme: nderin, dinjitetin njeriut ia jep
Atdheu, balta e vendlindjes, e gatuar me gjak e djersë, me historinë e me traditat, me fisnikërinë,
bujarinë e gjithë vlerat e tjera morale; lumturinë, gëzimin dhe kuptimin e jetës njeriu mund ta gjejë në
atdhè, në vatrën e vet, mes njerëzve të vet. Këto vargje të pavdekshme patën një ndikim të
jashtzakonshëm tek bashkatdhetarët, aq më tepër që shumë shqiptarë, të mësuar nëpër shkolla të
huaja e të verbuar nga propogandat antishqiptare, e kishin për turp të pohonin kombësinë e tyre të
vërtetë. Vargjet e Naimit i prekën në zemër, ua drejtuan sytë dhe shpirtin nga Atdheu, u kujtuan
detyrën si bij të tij. Poema e Naimit është një vepër tipike romantike. Bota e pasur e ndjenjave,
dëshira për t'u arratisur "nga brengat, nga thashethemet", nga rrëmuja e qytetit anadollak, krijon një
gjendje emocionale të veçantë. Por romantizmi i Naimit është aktiv. Poeti nuk tërhiqet në gjirin e
natyrës për të lënguar në vetmi e pikëllim. Përkundërazi duke u mrekulluar nga natyra e bukur
shqiptare, nga jeta e thjeshtë dhe e ndershme në vendin e tij, nga fisnikëria e njerëzve të punës, ai ka
dashur t'i nxisë shqiptarët ta duan Atdheun, të kthehen në vatrën e tyre dhe lumturinë ta gjejnë në
punë . Motivi i punës mund të themi se shtrihet në gjithë poemën, e cila është kështu një himn për
punën dhe për njerëzit e punës, për bujqit dhe barinjtë. Poeti tregon në skena të bukura e plot lëvizje
veprimtarinë e përditshme të bariut, të stopanit që bën bulmet, të bujkut që vë qetë përpara menatë;
madje, edhe shpendët, kafshët dhe kandrat janë në punë e në lëvizje të përhershme. Në këtë
himnizim të njerëzve të thjeshtë e jo të përfaqësuesëve të klasave të larta parazitare, gjejmë edhe
njëherë ndjenjat demokratike të Naimit. Jetën në atdhe Naimi e ka idealizuar, duke e paraqitur me
ngjyrat më të bukura e me tone idilike. Ai nuk ka dashur t'i paraqesë plagët dhe kundërshtitë e mëdha
të jetës në fshatin shqiptar të asaj kohe dhe kjo bëhet me qëllim, që t'ua bëjë sa më të dashur
vendlindjen shqiptarëve. Megjithatë, aty-këtu depërton edhe ndonjë hollësi që tërthorazi flet për ato
plagë: varri i një udhëtari të vdekur larg shtëpisë, një plakë e drobitur, një lypës. Mbi të gjitha plaga e
madhe e robërisë, padituria, përçarjet, nuk i shpëtojnë nga sytë. Ai i prek tërthorazi në vargjet që
mbyllin poemën, kur shpreh dëshirën që Shqipëria të hyjë në rrugën e mbarësisë.
Tregomu dhe shqiptarët udhën e punës së mbarë,
bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqiptarë.
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardhë të lirisë,
udhën e vëllazërisë, vahn e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesh, paskëtaj të mbretërojë,
errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë.
Vlerat artistike të poemës janë të gjithanshme, ndaj dhe idetë e saj janë aq të prekshme. Figuracioni
është aq i pasur, i larmishëm e i vetvetishëm sa të krijon një ngazëllim të papërmbajtur. Apostrofat
drejtuar natyrës shqiptare, enumeracionet e shumta që japin larminë e saj dhe të punëve, krahasimet
dhe semilitudat e goditura, epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë atë një nga veprat më të
frymëzuara të letërsisë sonë. Duke u nisur nga jeta baritore, nga loja e qengjave rreth mëmave të
tyre, Naimi krijon dhe simbole shprehëse: fjala "mëmë" përsëritet aq shpesh, sa bëhet simbol, që
përgjihtëson përkushtimin e poetit ndaj tokës mëmë, Shqipërisë. Në këtë vepër Naimi përdor një
shqipe të kulluar dhe, mbi të gjitha, arrit të zbulojë me forcën e talentit poetik vlerat dhe mundësitë e
mëdha shprehëse të gjuhës sonë. Ai e ngriti atë në rrafshin e gjuhës së poezisë së vërtetë, që mund
të shprehte ndjenja nga më të hollat. Në poemë gjejmë një leksik shumë të pasur baritor e fshatarak,
thirrorë e pasthirrma plot efekt, gjejmë prapashtesat përkëdhelëse zvogluese: -zë, -thë, -osh (e), që
sjellin aq ngrohtësi:
Vashë bukuroshe e bariut, që vjen me llërë përveshur,
me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur…
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë.
Për t'u dhënë jetë ideve e ndjenjave të zjarrta, Naimi krijoi një varg të ri në poezinë shqiptare, vargun
16-rrokësh. Vetëm ky varg i gjerë dhe i qetë mund të jepte atë tabllo madhështore të natyrës
shqiptare dhe ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan. "Bagëti e
bujqësia" është poemë liriko-epike, boshtin e së cilës e formon lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e
ndjenjave që i vlojnënë shpirt poetit. Bota romantike e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë
e natyrës shqiptaree të jetës baritore e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë për kombin, në
optimizmin dhe ngazëllimin për ditën e bardhë të lirisë. Poema mbetet një nga faqet më të bukura të
poezisë së Rilindjes, me ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona.
Në frymën e manifestit të shkruar nga Vaso pashë Shkodrani, marsin e 1899 Samiu përfundoi
punimin e vëllimit ku shtjellohen idetë e tij mbi çështjen shqiptare. Libërthi qarkulloi në
fshehtësi jashtë Perandorisë Osmane dhe u botua në Bukuresht pa emrin e tij. Botues austro-
hungarezë botuan disa nga veprat e tij me përmbajtje nacionaliste, përkthimi dhe shpërndarja e
veprave në fjalë u financuan nga albanologët Ippen e Nopça. Disa muaj pas vdekjes së autorit,
më 17 nëntor 1904 autorësinë e veprës e zbuloi Shahin Kolonja.

Ndërtimi: e ndarë në 3 pjesë. Ideja: rruga për shpëtimin e atdheut që mbështetet me varg
faktorësh: Tërësia territoriale,veçoria gjuhësore faktet historike. Flet për lashtësinë e popullit
shqiptar me luftërat e zhvilluara në Iliri dhe Epir të kohës së Gencit,Teutës,Pirruas etj.dhe
lavdinë që vjen si rezultat i lashtësisë. Faktor kryesor që shqiptarët të kenë shtet është gjuha e
përbashkët shqipë dhe tërësia territoriale që ishin mjaft të rëndësishme si factor mbrojtës nga
pushtuesit.
Për ta realizuar vlerën e së drejtës dhe të jetuarit të lirë,Samiu e sheh përmes organizimit
gjegjësisht Lidhjes së Prizrenit me çka i dëbon pretendimet e shteteve shovinistë ndaj
territoreve shqiptare. Në këtë traktat,projekton të ardhmen e Shqipërisë,si një shtet borgjez që
mbështet pronën private dhe parashihte formimin e Këshillit të pleqve në vend të presidentit.
Zhvillimin ekonomik e sheh të zhvilluar në të gjitha degët,arsimimin dhe kulturën me
dimension të ri,ku arsimin e ulët e shihte si të detyrueshme,të mesmen dhe universitar të
zhvilluar.

Pjesa 1
I kushtohet historisë së kaluar të Shqipërisë. Qëllimi i autorit është të provojë se populli shqiptar
është nga popujt më të vjetër të Evropës, me një gjuhë nga më të vjetrat e më të bukurat, me
kulturë e tradita të pasura, që ka të drejtë të jetojë i lirë në mes të popujve të tjerë dhe kombeve
të qytetëruara. Si shumë rilindës të tjerë, Samiu mbron origjinën pelazgjike të popullit shqiptar.

Një vend me rëndësi i jep në këtë pjesë figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij. Skënderbeun e
cilëson si një burrë që i ka shokët e rrallë në histori, kurse për epokën e tij shkruan se “është
m’ë bukur e m’ë bekuar e gjithë kohërave për vendin tënë„, se atëherë i gjithë kombi ishte i
bashkuar dhe u nderua në gjithë botën. Kjo është një nga synimet kryesore të veprës; të forcojë
te shqiptarët ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare.
Pjesa 2
Jep me nota tronditëse një tablo realiste të Shqipërisë pas Tanzimatit. Si janë sot shqiptarët?„-
pyet Samiu me shqetësim dhe tregon se gjendja e vendit është e mjeruar nga çdo pikëpamje.
Burimin e këtij mjerimi ai e sheh në rradhë të parë te zgjedha e huaj, që e ka lënë vendin në
varfëri, padituri, dhe errësirë. “Shqiptarët, – shkruan Samiu, – janë robër të poshtuar(poshtëruar)
e t’unjurë, të shkelur e të çpërnderë (turpëruar).

Përshkrimi është edhe më i gjallë në kontrast me të kaluarën, të cilën në përgjithësi autori e


idealizon. Ndaj dhe stili bëhet më zemërak, vepra e patriotit vlon nga revolta kundër shtypjes
kombëtare. Ata shqiptarë të veshur dikur me “roba të arta„ e të farkëtuar me armët e argjendta
të trimërisë, shkruan Samiu, “Janë sot lakuriq, me një këmishë që që s’ka ku ta zërë qeni. Vete
edhe zaptija e taksidari, e ngre shkopnë e i rreh duke thirrur: Pagoni! E ku të gjejë i ziu që të
paguajë? Atëherë shesin kanë, dhinë, ç’të kenë, edhe gjer në qeramidhet e shtëpisë„.

Vend të rëndësishëm zë analiza që Samiu u bën rreziqeve që i kanoseshin Shqipërisë.

Si gjithë rilindësit, ai mendonte se rreziku i parë Shqipërisë i vinte nga Perandoria Osmane, të
cilën Samiu e quante një të vdekur që duhej varrosur sa më parë. Sa më gjatë të mbetej lidhur
Shqipëria me këtë perandori të kalbur, aq më keq do të ishte. Shteti osman do të shembej së
shpejti dhe Shqipëria mund të groposej në gërmadhat e tij. Rreziku tjetër, mendon Samiu,
shqiptarëve u vinte prej lakmive të shovinistëve fqinjë, lakmi që i mbështetnin fuqitë
imperialiste.

Rreziqe të mëdha shqiptarëve edhe prej grindjeve e përçarjeve midis tyre, sidomos prej
përçarjes fetare, gjithashtu prej padijes, prej mungesës së shkollave shqipe. Këto rrethana i
hapnin shteg rrezikut të asimilimit të shqiptarëve prej të huajve.

Pjesa 3
Fillon me pyetjen: “A mund të qëndrojë Shqipëria si është? Përgjigjja është, jo„. Në përgjithësi
në këtë pjesë Samiu paraqet programin e lëvizjes për të ardhmen e Shqipërisë.

Nga analiza që u bëri rrethanave politike në fund të shekullit XIX, Samiu arriti në përfundimin
se rruga e vetme për të shpëtuar nga zgjedha osmane dhe nga rreziku i copëtimit prej shteteve
fqinje ishte që Shqipëria të shkëputej nga Turqia menjëherë, para se ajo të shembej dhe
shqiptarët të formonin shtetin e tyre të pavarur. Autori mendonte se kjo s’arrihej me lutje, por
me rrugën e luftës së armatosur. “Shqiptarët duhet t’i marrin ato që duan me pahir, t’i kërkojnë
me fjalë, po të kenë edhe pushkën plot„.

Si mendimtar demokrat dhe iluminist, Samiu parashtron një projekt të gjerë me ide të
përparuara për të ardhmen e Shqipërisë. Ai nuk e pranon idenë e monarkisë. Si formë regjimi
sipas tij, Shqipëria duhet të ishte republikë parlamentare që do të kishte në krye një pleqësi.
Kushtetuta e shtetit të ardhshëm shqiptar që propozonte Samiu, përshkrohet nga fryma
demokratike. Ideali i tij për këtë shtet ishte ideali i një demokracie borgjeze. Si shprehës i
pikëpamjeve të klasës së re të borgjezisë, ky ishte një ideal i përparuar për kohën, sepse ai i
kundërvihej shtetit despotik osman.

Shumë i guximshëm e i përparuar për kohën ishte projekti i Samiut edhe për zhvillimin
ekonomik e shoqëror të vendit. Ai kërkonte të ngrihej një industri kombëtare, të mëkëmbej
bujqësia, të zhvillohej komunikacioni automobilistik dhe hekurudhor, të forcohej mbrojtja etj.
Vëmendje të veçantë Samiu i kushtonte zhvillimit të arsimit e të kulturës shqiptare. Si gjithë
rilindësit, ai kishte bindjen se ajo që u duhej më shumë shqiptarëve ishte dituria. Për përhapjen e
saj ai kërkonte një sistem arsimi të përgjithshëm e të detyrueshëm për të gjithë, djem e vajza.
Arsimin e donte në gjuhën amtare shqipe dhe shkolla të ishte laike, e shkëputur nga kisha e
xhamia, një shkollë që të shërbente si vatër diturie dhe atdhetarizmi.

Samiu ëndërronte Shqipërinë me shkolla të të gjitha kategorive, me universitet


(“gjithëmësime„ siç e quante ai), me akademi të shkencave, muzeume e biblioteka.

Siç shihet, në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet„ gjeti shprehje mendimi
shqiptar më i përparuar politiko-shoqëror i kohës. Me këtë vepër Samiu u bë ideologu më i
shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Vepra e tij është një traktat politiko-shoqëror, megjithatë
ajo ka vlera të mëdha stilistike, një gjuhë e gjallë, e shprehëse. Stili i prozës së Samiut është
energjik, herë polemist, herë fshikullues e herë me patos thirrës e mobilizues. “O burrani o
shqiptarë ! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t’ju shpëtojë!„

Fraza e Samiut është e qartë, me mjete gjuhësore plot ngarkesë emocionale. Mbasi ka
parashtruar krejt programin e tij, ja si e mbyll veprën; “Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e
shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje,
ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim një besë!„

Kjo vepër solli një ndihmesë të madhe për pasurimin e gjuhës letrare shqipe dhe për formimin e
stilit publicistik. Samiu vdiq në Stamboll më 1904, i përndjekur nga autoritetet dhe i respektuar
nga populli dhe opinioni përparimtar.
Gavril Dara
Zanafillën e vet lëvizja letrare arbëreshe e pati në
ngulimet e Siçilisë, me studjues e letrarë të ndryshëm,
si: Matrënga në shekullin e XVI, Brankati, Filja, Keta,
Gavril Dara(plaku) dhe Andrea Plaku në shekullin e
XVIII. Në kohën kur kjo lëvizje fitoi karakter të ri
kombëtar u përfaqësua nga Gavril Dara(i riu), që vijoi traditën e nisur nga i ati dhe i
gjyshi. Lindi në Palac Adriano më 6 janar 1827. Mësimet e para i mori në seminarin
arbëresh të Palermos. Po në këtë qytet ai kreu studimet e larta për drejtësi.

Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Në fillim shkroi vjersha që
më tepër ishin intime. Shkëndia që i dha zjarr talentit të tij, ishin idetë liridashëse,
ideali i bashkimit të Italisë dhe dëshira për ndryshime demokratike. Këto ide janë
derdhur në vëllimin "Disa poezi", shkruar në italisht, që doli në dritë në vitin më të
zjarrtë të revolucionit më 1848. Vëllimi është si një ditar i lëvizjes revolucionare të asaj
kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të
Darës, si fryma luftarake optimizmi dhe begatia e figuracionit. Vlerën artistike të
vëllimite dëmtojnë karakteri abstrakt dhe retorizmi.

Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest
kryengritës, "Palingenesi" (Përtëritja e jetës). Në artikujt që botoi aty ai tregoi aftësi
prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Në çastet më të rëndësishme të luftës për
çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët e tjerë, mori pjesë aktive në lëvizjen
revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake dhe sundimit të Burbonëve. Madje
ishte një nga udhëheqësit krahinor të asaj lëvizjeje, si anëtar i komunitetit revolucionar
të Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm i qeverisë revolucionare të Garibaldit, më
1860.

Në të njëjtën kohë ai s'i ndahet krijimtarisë letrare. Më 1864 shkruan një poemë të
gjatë italisht, po me subjekt shqiptar "Ana Maria". Poema është shkruar në vargje
njëmbëdhjetërrokësh, është e gjatë (1.300 vargje) dhe e ndarë në dy pjesë. Ka dy
protagonistë: Bozdar Stresin, nipin e Skënderbeut, të cilit i kushtohet pjesa e parëdhe
Ana Maria Kominiatën, mbesën e Donikës, gruas së Skënderbeut, së cilës i kushtohet
pjesa e dytë, më e gjatë. Dara mishëron në këto dy personazhe idealin e burrit dhe të
gruas shqiptare. Poema tingëllon si një himn për atdheun e të parëve. Këto personazhe
i patëm gjetur edhe te De Rada, po ai i paraqet si heronj romantikë që kryejnë një faj
tragjik dhe shkojnë për këtë drejt fundit tragjik, kuse Dara i ri thekson aspektin heroik
të karakterit të tyre.

Në poemë spikatin për vlerën e tyre estetike pjesët lirike. Në vitet 1871-74 Darën e
gjejmë në Romë ku drejton gazetën politike "La Reforma"(Reforma), që shpreh ide
përparimtare të së majtës .
Më vonë, ndoshta i shtyrë nga pakënaqësia e përgjithshme e arbëreshëve për rezultatet
e arritura për bashkimin e Italisë, Gavrili la gazetarinë dhe politikën.

Pikërisht në këto vite Dara shkruan italisht vjershën epistul "Të zezat tona", ku jepet
një tabllo rrëngjethese e gjendjes së vendit, e shtypjes dhe e mjerimit të dyfishuar që
rëndonte mbi popullin. Ai e pikturon këtë tablo me epitete epitete dhe metafora nga më
të vrazhdat, nga më të ashprat, që të kujtojnë penën e Dantes në përshkrimin e skenave
të Ferrit. Vjersha demaskon me realizëm të mprehtë shtetin e ri borgjez, me mjerimin,
taksat, gënjeshtrën dhe korrupsionin. Patosi mohues është tepër i fuqishëm, ndihet
revolta e poetit demokrat. Tema politike trajtohet sërish në poemën "Djalli dhe Muza".
Vitet e fundit të jetës së Dara i Ri i kaloi në Xhirxhenti, ku punoi si avokat dhe u mor
me arkeologji e me studime filozofike. Aty vdiq në nëntor të vitit 1885 në mjerim duke
lëne gjashtë fëmijë ende të mitur.
Ai e kishte ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, duke marrë anën e Lidhjes
Shqiptare të Prizerenit dhe duke kuptuar me mprehtësi rrezikun e synimeve të
shovinistëve fqinjë si dhe të imperialistëve austriakë dhe italianë ndaj Shqipërisë. Ai
ishte për një bashkëpunim të ballkanasve, kundër zgjedhës osmane.

Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e
vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga e sprasme e Balës" është një ndër
kryeveprat e letërsisë sonë.
MIHAL GRAMENO

Mihal Grameno (Korçë, 13 janar 1871 - 5 shkurt 1931) ka qenë veprimtar i çështjes


kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, botues dhe shkrimtar shqiptar. Vlerësohet se
vendi i Gramenos në letërsinë shqiptare është kryesisht si publicist e pamfletist i jetës politike.
Krijimet e para letrare e publicistike të Mihal Gramenos panë dritën e botimit në fillim të shek.
XX. Hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si "Për mëmëdhenë", "Lamtumirë", "Uratë për
liri" u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës (sidomos
novelës) së gjatë shqipe. Shkroi novelat Oxhaku (1904-1905), Varri i pagëzimit (1909) dhe E
puthura (1909), në të cilat gjeti pasqyrim me nota sentimentaliste jeta e përfaqësuesve të
vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.
Fusha ku spikati talenti i Mihal Gramenos është publicistika. Bashkëpunoi me disa organe, por
shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat Lidhja ortodokse (1909-1910) dhe "Koha" (1911-
1926), të cilat i drejtoi vetë. Shkrimet e tij publicistike shquhen për idetë demokratike dhe
frymën luftarake. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës
osmanizuese të xhonturqve. Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato
gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e
shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Ka botuar dy vepra dramatike: komedinë
"Mallkimi i gjuhës shqipe" (1905) dhe dramën "Vdekja e Pirros" (1906), të dyja të shkruara në
vargje. Komedia "Mallkimi i gjuhës shqipe" trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit
reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te "Vdekja e Pirros" trajtohet kthimi i Pirros
fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga
fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të
Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. Grameno shkroi edhe vjersha të cilat i
botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull "Këngëtore shqipe - Plagët". Poezia atdhetare
e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e
Shqipërisë. Vjersha "Për Mëmëdhenë" u bë një këngë e famshme atdhetare. Është nga
publiçistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi, i cilësuar si një nga pamfletistët më të
njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes
kombëtare. Drejtoi gazetat "Lidhja ortodokse" (1909-1910) botoheshin në Shqipëri dhe
diasporë, si “Lidhja ortodokse” në Korçë, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe "Koha" në
SHBA (1911-1926), me disa ndërprerje, “Drita” në Sofje, në të cilat botoi artikuj, prozë, poezi
dhe drama. Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin
luftarak, ironinë e sarkazëm therëse. M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare, në radhë të
parë, si publiçist. Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e të dramës. Është ndër
autorët e parë që solli në letërsi në mënyrë të gjerë, personazhe nga shtresat e varfëra të
shoqërisë shqiptare
Naum Veqilharxhi, (1797 - 1846) ka qenë një avokat dhe studjues shqiptar. Më 1844 krijoi një alfabet
krejt origjinal për gjuhën shqipe, quajtur Alfabeti i Vithkuqit. Veqilharxhi është ndër figurat më të
shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të
parë.
Veprimtaria dhe puna
Më 1824 ose 1825, nisi të krijonte alfabetin e tij për gjuhën shqipe. Varianti përfundimtar i
alfabetit të tij me tridhjetetre shkronja sajuar prej tij, u botua për të parën herë më 1844-5
titulluar Evëtori Shqip Fort i Shkurtër.Veqilharxhi shmangu përdorimin e shkronjave greke,
latine dhe arabe për shkak të bashkëshoqërimit fetar dhe prej rrezikut se mund të ndillnin
përçarje mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Ëvetori i Veqilharxhit u përhap fillimisht në
Korçë e më pas deri në Përmet dhe Berat, ku gëzoi përdorim të madh.
Më 22 prill 1845, Athanas Paskali në një letër i kërkoi Veqilharxhit që të niste sa më shumë
kopje që ta kishte të mundur. Sipas historianëve, botimi i këtij vëllimi shënjon fillimin e
Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Më 1845 Veqilharxhi i dërgoi një letër polemizuese të nipit në gjuhën greke, që ia kish quajtur
idetë e tij kimerike: letra çmohet ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme
idetë e Rilindjes Kombëtare.Mendohet se Veqilharxhi vdiq prej një helmimi nga Patriarku
Ekumenik i Kostantinopojës.
VEPRAT
Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të
pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi
shkrimor t'u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën
abetare të shqipes, Ëvetarin. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të
Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e ribotoi më 1845 me titullin Fare i ri ëvetar shqip, të shoqëruar
me një E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e
dorëshkrime të tjera, që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një Qarkore (Enciklikë) greqisht drejtuar
bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri dhe po atë vit i dërgoi një letër të gjatë polemizuese një nipi
të vet, që u ishte kundërvënë përpjekjeve të tij për çështjen shqiptare.
Parathënia e abetares, qarkorja dhe letra e vitit 1846 janë dokumentet e para ideologjike e
programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes kombëtare shqiptare. Në to formulohen kërkesat
kulturore të lëvizjes. Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe
ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara. Pa çlirimin kulturor nuk
mund të arrihej as çlirimi politik. Duke u nisur nga pikëpamjet racionaliste, i shihte shqiptarët si komb
me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. U bëri
thirrje shqiptarëve të hapin sytë, duke kërkuar zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Kishte besim te
aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.
Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkollave të huaja dhe punonte për një shkollë shqipe,
me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. Dha ndihmesë e shfaqi mendime të reja edhe
për lëvrimin e gjuhës. U mbështet te gjuha e popullit, përdori fjalë të vjetra e të rralla dhe u shpreh për
pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.
Naum Veqilharxhi u përpoq edhe të krijonte një shoqëri kulturore dhe të organizonte atdhetarët e
tjerë, prandaj e helmuan në Stamboll. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në
historinë e popullit shqiptar.

You might also like