You are on page 1of 2

Xhufin po e vret Xhufi

Salih Mehmeti

Pëllumb Xhufi, për fat të keq, është historiani më i mirë shqiptar. Fat i keq dhe i trishtë
sepse kuadro profesioniste të historisë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni mungojnë më
shumë se kurrë, pavarësisht mbiprodhimit të një proletariati akademik me diploma.

Përkthimet e dikurshme nga greqishtja e vjetër dhe ajo bizantine nga helenistët e
paharruar shqiptarë, si Sotir Papakristo, Koço Bozhori, Filip Liço, kanë mbetur ikonë
nostalgjie e një kohe kur punohej me pedantëri e diligjencë.

Koha kur në Tiranë mbahej kuvendi i studimeve ilire e ftoheshin profesorë nga
universitet e Sheffield dhe Cambridge, si R.A.Crossland, N.G.L.Hammond, ngjan si një
ëndërr, gati si e mosqenë.

Është koha kur katedrat e historisë në Tiranë, Prishtinë e Tetovë gëlojnë nga profanë,
plagjiatorë e njerëz që nuk janë të përditësuar me të rejat e historisë si si shkencë
humane...Në një vend pa anomali masive, Xhufi do të duhej të ishte praktikisht asocial, i
mbyllur nat’ e ditë në një institut ku do të merrej ekskluzivisht me zejen e tij, pa menduar
nëse në fund të muajit arrin të mbulojë qeranë e apartamentit të tij.

Por, shteti shqiptar nuk dënjon të krijojë as kushtet minimale për punë shkencore për
mohikanët e fundit që i kanë mbetur vendit.

Një mik i mirë ma përshkruajti mjedisin e Institutit të Historisë ku punon edhe Xhufi i
dëgjuar: një hapësirë e vogël dhe e zymtë, thuajse e paajrosur, ku punojnë ngjitur me
njëri-tjetrin katër veta. Sa e padinjitetshme!

Specializimi medievistik i Xhufit është Bizanti i vonë, veçanërisht shekulli i


katërmbëdhjetë, dhe opusi i tij flet për një mendje depërtuese dhe me një sens të rrallë
prej filologu.

Por Xhufin erudit po e mbyt Xhufi tjetër, ai i mediave, i intervistave dhe debateve. Ja pse:

Në momentin kur mediat bulevardeske e intervistojnë Xhufin për çdo trill që u bie në
mend, për hismariotët, për varrezat greke, për çështjen nëse sllavofonët e Prespës duhet të
njihen si pakicë bullgare a maqedone, për partizanë e ballistë, për aleatë e kuislingë, ky
është fillimi i kompromentimit të reputacionit të tij.

Nga ato që më thonë të tjerët, unë kam krijuar përshtypjen se Xhufi është epitomë e
modestisë, mirësjelljes dhe butësisë, por pse ngulmohet me zor që prej tij të nxirret
omnishienti që jep përgjigjje për çdo aktualitet politik.
“Ekskomunikimi” i tij nga mediat duhet të jetë imperativ për të mirën e tij, dhe shteti
duhet t’i hap derën ndërkombëtarizimit të punës së atyre pak specialistëve të historisë, e
jo t’i vulgarizojë ata përmes ofrimit të një hapësire kinse të lirë mediatike.

Nuk kemi aspak nevojë për shtjellime historike në formë parullash të tipit ‘Himara është
shqiptare’ dhe as narracione të dhjera pseudohistorike ku mbi gjithçka tjetër vlen etiketa
etnike.

Diku para njëzet vitesh, Akademia e Athinës doli me një përmbledhje ‘përfundimtare’ që
synonte t’i vinte pikat mbi ‘i’ të përkatësisë së epirotëve në kohë dhe hapësirë. “Epiri,
4000 vjet histori dhe civilizim grek”, ishte titulli bold dhe sugjestiv i përmbledhjes, që si
editor mbante akademikun M.V. Sakellariou.

Nga leximet e mia të thelluara në bizantologji, sidomos për Epirin post-antik, punimet e
kësaj përmbledhje as nuk citohen nga studiuesë serioz të huaj si Pierre Cabanes, Alain
Ducellier, Donald M. Nicol apo Brendan Osëald, përveç si ushqim i thatë për konsum të
brendshëm.

Ta mbrojmë Xhufin!

You might also like