You are on page 1of 430

I

Ka disa emra njerëzish të mëdhenj që shoqërohen përgjithmonë me idenë e kombit


ose të shtetit të tyre. Nuk mund të mendojmë, për shembull, Maqedoninë e dikurshme
pa na u kujtuar njëherësh edhe Aleksandri i Madh, as Romën e vjetër, pa Jul Qesarin,
as Shqipërinë tonë, pa Skënderben.

Për të kuptuar shkakun e këtij shoqërimi idesh, duhet të dimë më parë se ç'është
kombi, ose shteti. Që të dy janë një bashkësi kulturo-gjuhësore, sidomos kombi, dhe
politiko-ekonomike, sidomos shteti, ku individët qëndrojnë të lidhur me ndjenja e me
interesa si në një familje të madhe. Sa m'i fuqishëm të jetë shteti, sa m'i lartë të jetë
kombi nga kultura dhe traditat historike, aq m'e fortë është edhe ndjenja që i lidh
individët me të. Kështu që, komb, shtet a çfarëdo grupi qoftë, bëhen si një qenie
ideale; dhe emri i atij njeriu që, në një periudhë të historisë a në disa rrethana të
veçanta, i ka dhënë kësaj qenieje çfaqjen më të lartë, mbetet i lidhur me të në kujtimin
e popujvet.

Kur flasim për Shqipërinë, e mendojmë si një njësi të bashkuar, sipas ndjenjavet
kombëtare të sotshme, dhe na pëlqen t'a përfytyrojmë në formën më të mirë, në
çfaqjen më të lartë të saj. Por, që nga Mesjeta e tëhu (domethënë qëkur Shqipëria
quhet Shqipëri), n'asnjë çast tjetër historik nuk ka treguar kombi ynë aq forcë të
bashkuar drejt një qëllimi të vetëm - dhe që hyri si faktor në historinë e përgjithshme
t'Evropës - sa në kohën e Skënderbeut.

Studionjësit e psikologjisë dhe të sociologjisë e dinë se sa e fortë është ndjenja e


grupit tek njeriu, në fundet e errëta të pavetëdijës. Njeriu është një qenie e gjallë që ka
nevojë shpirtërore t'a ndiejë vehten pjesëtar i një grupi, domethënë i lidhur brendësisht
me të tjerë njerëz që ndiejnë e mendojnë pak a shumë si ai, që kanë të njejtën gjuhë, të
njejtën kulturë, të njëjtat zakone, të njëjtat interesa. Ndarja e njerëzve në grupe të
ndryshëm - fis e krahinë, fe e kulturë, komb e shtet, parti e klasë etj. - e ka bazën në
këtë ndjenjë instinktive, dhe jo vetëm në nevojën ekonomike siç mendojnë marksistët.
Në kohët tona, megjithëse ndërhyrja e shumë faktorëve kulturorë, teknologjikë dhe
ekonomikë i ka dhënë të tjera drejtime ndarjes ose bashkimit të njerëzve në grupe,
ndjenja kombëtare mbetet akoma si një nga më të fortat.

Për ne Shqiptarët, figura e Skënderbeut zmadhohet ose zvogëlohet sipas vleftës që i


japim kombit dhe ndjenjës kombëtare. Ka qënë një kohë - dhe mjaft e gjatë - kur emri
i Skënderbeut ishte harruar pothuajse fare në Shqipërinë e sotshme. Shkaku ishte se
njerëzit u grupuan rreth ndjenjës fetare ose krahinore - e njihnin vehten të Krishterë
ose Myslimanë, Gegë ose Toskë, Dukagjinas a Kurveleshas - dhe jo bij të një kombi
në kuptimin e sotshëm të fjalës. Gjatë asaj kohe, kujtimi i Skënderbeut jetonte tek
Shqiptarët e Italisë, pikërisht sepse ata kishin mbetur me gjuhën, me ritin fetar dhe
traditat e tyre si një grup kombëtar më vehte, i veçuar nga popullsia italiane që i
rrethonte.

Kur ideja kombëtare rilindi për ne Shqiptarët në shekullin XIX, dolli menjëherë edhe
figura e Skënderbeut si ati i kombit, si shprehja m'e lartë e sedrës kombëtare dhe e
vleftës sonë trimërore. Të Krishterë e Myslimanë, Gegë e Toskë e njohën si hero
kombëtar. Më në fund u shtrënguan t'a njohin edhe komunistët, megjithëse në fillim
këta u treguan kundër çdo vlefte kombëtare, me qëllim që t'a gruponin popullin - e
sidomos brezin e ri - rreth ndjenjës së proletariatit botëror. Mirëpo eksperienca ua
provoi se këta vetë paskëshin qënë më të ngushtët nga mendja në tërë kampin e
komunizmit ndërkombëtar. E panë se komunizmi titoist nuk ishte veçse një
jugosllavizmë dhe desh t'i gëlltitte si i tillë. Provuan gjithashtu se edhe komunizmi rus
nuk ishte veçse rusizmë dhe desh t'iu rripte lëkurën për interesat e veta. Nëqoftëse nuk
janë prapa botës, duhet t'a kuptojnë se edhe konflikti kino-rus ka një shkak kombëtar
ose gjeopolitik, dhe jo ideologjik siç duan t'a trumbetojnë ata. Përpara realitetit të
sotshëm që po e shohin edhe të verbëtit, ideologjia marksiste-leniniste, si dogmë, e ka
humbur përmbajtjen e saj. Agjentët e regjimit të Tiranës, kur flasin tani me ndonjë
Shqiptar të jashtëm, i thonë në mirëbesim: "kërkon të na përpijë sllavizmi." Sikur t'ua
thoshte tjetërkush këtë fjalë, njëzet ose dhjetë vjet më parë, e dënonin me plumb.

Të vënë në këtë gjendje dhe të veçuar nga bota (mbasi Kina është tepër larg),
komunistët janë kthyer në demagogjinë kombëtare. Prandaj figura e Skënderbeut,
edhe për ata, duhet të zërë vendin qendror të historisë së Shqipërisë. Për t'u treguar më
t'afërt me ndjenjën kombëtare të masavet, e kanë shpallur vit jubilar pesëqindvjetorin
e vdekjes së Skënderbeut.

Përse gjithë ky çmim për Skënderben? Sikur t'a shikonim punën nga ana praktike, nga
ana e mirëqenies (siç do të thoshnim sot), ai nuk iu solli ndonjë të mirë Shqiptarëvet të
kohës së tij: burrat më të fortë u vranë, një pjesë e madhe e popullsisë u shua, një
pjesë tjetër po aq e madhe u mërgua në dhe të huaj, qytetet u rrafshuan, fusha e fshatra
u zbrazën, i tërë vendi u shkretua me zjarr e me hekur. A do të kishte mundur
Skënderbeu të bënte një tjetër politikë me Turkun, politikë vasali, dhe njëkohësisht të
siguronte mbajtjen e kombit shqiptar si një grup ethnik të bashkuar? Ashtu siç deshën
të bënin mbretërit e Serbisë, pasi u mundën, dhe siç bënë Grekët e Fanarit pas rënies
së Kostandinopojës?

Nuk na besohet kjo hipotezë. Sepse Shqiptarët nuk kishin një kulturë siç ishte
helenizmi nëpër të cilin u mbajt kombësia greke, as bashkim kombëtar rreth një
dinastie mbretërore siç e kishin Serbët. Këtë bashkim u mundua t'a bënte Skënderbeu
nëpërmjet të luftës kundër Turkut. Gjer atëhere Shqipëria kishte qënë e copëtuar në
një feudalizmë pa krye. As Thopiajt as Balshajt, që patën qënë shtëpitë princore më të
mëdha, nuk kishin mundur t'a bashkonin të gjithë vendin. Përpara Skënderbeut si edhe
në kohën e këtij, çdo feudal shqiptar, i madh a i vogël, e mbante vehten si zot në
krahinën e tij dhe bënte politikën që i pëlqente, me Turkun, me Venetikun a me
cilindo tjetër. Skënderbeu qëndroi në krye të tyre vetëm me anën e luftës: ndryshe
s'mund t'ishte mbajtur. Grekët dhe Serbët kishin arritur me kohë n'ato dy njësime
(unitete) pa të cilat s'ka shtet as komb që të qëndrojë i bashkuar: njësim kulturor dhe
njësim politik. Kombësia greke kishte si bosht qendror kulturën helenike me Kishën
Orthodokse dhe me kurorën mijëvjeçare të Bizantit. Kombësia serbe kishte edhe ajo
Kishën e saj me liturgjinë sllavone dhe me një kurorë mbretërore prej tre shekujsh.
Pra popujt e këtyre dy kombeve, edhe pasi e humbën pavarësinë politike, mbetën të
lidhur me shpirt e me ndjenjë rreth boshtit fetaro-kulturor dhe traditës historike të tyre.
Rreth këtij boshti e mbajtën bashkimin si kombe.

Kurse Shqiptarët nuk kishin as njësim politik as njësim kulturor, nëqoftëse me fjalën
kulturë nuk kuptojmë vetëm gjuhën e folur dhe zakonet. Politikisht ishin të thërrmuar
në krahina e principata, pa një dinasti qendrore. Një farë mbretërie shqiptare që pat
krijuar mbreti i Napolit, Charles d'Anjou, më 1272, pat qënë e përkohshme dhe pa
rrënjë të brendëshme. Nga ana fetaro-kulturore, Shqiptarët nuk kishin jo vetëm Kishë
e liturgji në gjuhën e tyre por, me sa dimë, as letërsi të shkruar. Një popull që varet
shpirtërisht nga qendra kulturore të jashtëme nuk mund të formojë kurrë njësim
kombëtar në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sikurse nuk mund të formojë njësim
shtetëror ai popull që varet nga qendra politike të huaja. Kjo e shpjegon deri diku se
përse një pjesë e madhe e Shqiptarëve u kthyen në myslimanë.

Duke mos pasur pra as bosht politik as bosht fetaro-kulturor të tyren, Shqiptarët
s'kishin sesi të mbahëshin si njësi e bashkuar nëpërmjet kompromisesh me Portën e
Lartë, siç bënë Serbët dhe Grekët. Bashkimin politik të Shqiptarëvet në një shtet të
përqendruar u mundua t'a bënte Skënderbeu me grushtin e tij të fortë. Dhe e dimë se
sa e vështirë qe kjo punë dhe se sa kokëçarje i solli.

Tani vjen një pyetje tjetër: mbasi lufta e Skënderbeut nuk i siguroi dot Shqipërisë një
t'ardhme të pavarur, ose njësimin si komb, ç'vleftë kanë për ne trimëritë e tij përpara
gjithë atyre humbjeve në njerëz e në mjete, përpara atij shkretimi që i solli vendit?

Përgjigjia e kësaj pyetjeje është pak si e vështirë. E para, sepse varet nga shkalla e
vleftavet morale që njerëzia ka pranuar gjer më sot si kriter gjykimi. E dyta, sepse nuk
dimë se ç'përfundim do të kishte pasur kombi shqiptar sikur të mos kish ndodhur
qëndresa e Skënderbeut. E treta, sepse ne e mendojmë atë luftë pasi është bërë. Por
kur ishte duke u bërë, kishte të tjera mendime, të tjera ndjenja, të tjera shpresa, sipas të
cilavet vepronin Skënderbeu dhe Shqiptarët e asaj kohe. Mendohej e shpresohej, për
shembull, në një kryqëzatë të përgjithshme evropiane kundër Turkut, në shpartallimin
e Perandorisë Osmane prej grindjesh të brendëshme etj. Sidoqoftë, pa qënë nevoja t'a
shikojmë këtë çështje nga disa anë që i përkasin filozofisë ose të kërkojmë shkaqet
subjektive që e shtynë Skënderben n'atë luftë, do të mundohemi të japim një gjykim
vetëm nga ana objektive e historisë së Shqipërisë nëse figura e Skënderbeut e meriton
atë vend që i kanë dhënë gjer më sot Shqiptarët.

Thamë më sipër se Shqipëria nuk kishte arritur në njësimin kombëtar gjer në shekullin
XV. Çdo princ a kryezot bënte politikën që i pëlqente, qoftë me Turkun, qoftë me të
tjerë shtete fqinjë. Sikur të mos kishte dalë Skënderbeu, disa kryengritje do të kishin
ngjarë prapë dhe do t'ishin shtypur, ashtu siç qenë shtypur ato të Gjon Kastriotit, të
Gjergj Aranitit dhe të kapedanëve të tjerë. Vendi do të kishte rënë prapë, siç ra, nën
Turkun. Nuk do t'ishin vrarë ndoshta aq burra, nuk do t'ishte shuar ndoshta aq popull,
nuk do t'ishin bërë ndoshta aq shpërngulje, por nga ana tjetër nuk dimë sesi do të
kishte përfunduar kombësia shqiptare.

Skënderbeu i dha jo vetëm një frymë heroike, po edhe një karakter kombëtar
qëndresës shqiptare kundër Turkut. Dhe tronditja qe aq e madhe, sa që kujtimi i luftës
së tij vazhdoi për disa kohë si një jehonë trimërore në malet e Shqipërisë dhe jetoi si
një epope legjendare tek Arbëreshët e Italisë. Kur ideja kombëtare rilindi në shekullin
XIX, u kuptua se Skënderbeu i kishte dhënë një bazë historike Shqipërisë, i kishte
dhënë nyjen e kreut ku mund të lidhej filli i saj për në kohët moderne. Ndryshe - edhe
sikur t'a zëmë se do të kishte pasur një ndjenjë shqiptare - historia e Shqipërisë do të
paraqitej si një legjendë e çthurur, pa lidhje e pa krye, si një përrallë e venitur në
mjegullirën e shekujve. Deri Evropa, me gjithë shtrembërimet e armiqve, nuk mundi
t'ia mohojë historinë e tij kombit shqiptar, mbasi qëndresa e Skënderbeut kishte hyrë
në historinë e përbotshme.

Që Shqiptarët, pa përjashtim, t'a kenë njohur Skënderben për hero kombëtar, duket se
ka disa arësye të thella kombëtare dhe historike. Këto arësye do të mundohemi t'i
vëmë në dukje gjatë këtij studimi.

II
Kur flasim për komb, kuptojmë një grup njerëzor që lidhet me gjuhë, me kulturë e
zakone të përbashkëta, po edhe që lëviz si një tërësi e organizuar n'anën politike e
ushtarake dhe në jetën ekonomike e shoqërore. Ka pasur shumë kombe me gjuhë e
zakone, por që janë zhdukur nga skena e historisë sepse nuk patën mundur të
formojnë një tërësi t'organizuar politiko-ushtarake. Organizimi i tyre pat mbetur
primitiv në radhën e një grumbulli fisesh. Po marrim si shembull vetëm popujt e vjetër
t'Evropës, Ilirët, Maqedonët, Thrakët, Dakët, Etruskët, Keltët etj., të cilët ishin kombe
me gjuhë e zakone por që u shkrinë në Perandorinë Romake, mbasi vetëm Roma qe e
zonja të formonte një strukturë shtetërore në shkallën më të lartë. Në Ballkan, përveç
ne pak Shqiptarëve, mbetur nga Ilirët, u mbajt kombësia greke nëpërmjet të kulturës
helenike, e cila ishte eprore mbi latinen. Gjermanikët dhe Sllavët, që erdhën më
pastaj, duket se kishin më tepër instinkt organizimi, e prandaj i asimiluan ato popullsi
të vjetra, të gjysëm-romanizuara.

Kur themi që një komb është m'i lartë nga tjetri, në radhë të parë kuptojmë kulturën
por edhe forcën, të cilat në më të shumtën e rasteve shkojnë bashkë. Dhe forca s'është
tjetër veçse organizimi, bashkërenditja e fuqive të veçanta nën një drejtim të
përgjithshëm. Numri s'ka vleftë kur nuk është i organizuar. Anglia, për shembull, me
disa dhjetra milionë frymë, sundonte një perandori koloniale ku vetëm Hindi kishte
katërqind e ca milionë njerëz. Dhe Holanda e vogël pat deri dje një perandori fort të
madhe në Lindjen e Largët.

Nuk është vendi t'analizojmë këtu se përse disa kombe organizohen dhe arrijnë në një
strukturë shoqërore të lartë, siç arriti Roma e vjetër, kurse të tjerë nuk dalin dot përtej
kuptimit të fisit, të qytetit a të krahinës. Si faktorë hyjnë sigurisht gjeografia, kultura,
rrethanat historike, e të gjitha këto ndërvaren dhe ndikojnë njëra-tjetrën. Duam vetëm
të nënvizojmë se Roma i shtroi popujt e tjerë rreth e qark jo sepse këta ishin më pak
trima, por sepse s'patën arritur dot n'atë shkallë organizimi sa t'i bënin ballë maqinës
shtetërore romake dhe ushtërisë së disiplinuar të saj.

Ne flasim për Mbretëri t'Ilirëvet siç mund të kishte një mbretëri të Galëvet e të tjera
mbretëri t'atij lloji. Por këta popuj kishin mbetur të thërrmuar në një numër fisesh me
ca lidhje të flashkëta midis tyre, ku shteti ishte si një farë konfederate e çlirët dhe
mbreti si një kryebajraktar, të cilin e dëgjonin vetëm kur kishin interes ose kur ishte
mjaft i fortë sa t'iu imponohej kryetarëve të fiseve. Ushtëria e këtyre popujve ishte një
grumbull i mbledhur në kohë nevoje, i rreshtuar togje-togje sipas fisevet, i paaftë për
të zbatuar një plan të përbashkët dhe më i paaftë akoma për një qëndresë të gjatë, të
shumanshme. Një fitim i vogël ia dehte mendjen, një humbje e parëndësishme
përhapte panik. Kishte aq kumandarë sa ç'kishte edhe kryetarë fisesh. Në vështirësitë
më të para, fillonin pëshpëritjet, mendimet e kundërta, hedhja e fajit njëri tjetrit,
intrigat, shmangiet, përçarjet, të cilat armiku i shfrytëzonte më së miri ose edhe i
mbillte vetë sipas qejfit.
Kundrejt këtij grumbulli të paformë, paraqitej shteti romak i përqendruar, me një
administratë të rregullt, me një politikë të përcaktuar, që zbatohej nga një qendër e
vetme, me grusht të hekurt. Paraqitej ushtëria romake, një nga më të disiplinuarat në
botë, e drejtuar nga një mendje, e kumanduar nga një vullnet i vetëm, dhe që mbahej
si një mur ose lëvizte si një maqinë shtypëse, ku çdo kohortë kishte vendin e saj dhe
do të zbatonte urdhërin që i jepej, ku çdo legjionar kish numrin e matrikullit dhe për
mosbindjen më të vogël mund t'i priste liktori kokën. Kundrejt një ushtërie të këtillë,
grumbulli i Ilirëvet, i Galëvet a i cilitdo popull tjetër paraqitej si një vandak shkarpash
kundër një shtylle të hekurt.

Nëse shteti i Maqedonisë u tregua ndryshe për disa kohë, kjo iu detyrua, përveç
gjeografisë së vendit, organizimit të ri ushtarak që bëri Filipi II dhe që e përforcoi
Aleksandri. Maqedonia shtrihej mbi tri fusha të gjera, përshkuar prej luginash dhe
rrethuar prej malesh gjithë pyje. M'e madhja, e cila quhej Emathia, përbënte pjesën
qendrore të Maqedonisë, ndërmjet lumenjvet Vardar dhe Vistrica. Pastaj, nga juga,
zgjatej Pieria deri n'Olimp dhe, nga lindja, Migdonia, gjer në lumin Struma. Filipi II,
pasi shtiri në dorë minierat e arit të malit Pangje e të krejt Peonisë, në Thrakë,
organizoi një ushtëri të fuqishme duke krijuar falangën, si peshën më të rëndë të
këmbësorisë, dhe duke disiplinuar kalorësinë e trupat e tjera ndihmëse. Falangat e
famshme dhe kalorësia maqedonase i dhanë fitoret e shkëlqyera Aleksandrit, sikurse
legjionet që ia dhanë Romës. Por Maqedonia nuk vazhdoi të zhvillohej si shtet, sepse
Aleksandri e shpërnguli prej aty boshtin e fuqisë dhe e vendosi në Persi, të cilën e bëri
qendër të Perandorisë së tij të përbotshme. Mbretërit e Maqedonisë që erdhën pas
Aleksandrit, qenë të paaftë dhe me pamje të ngushta tirani. Megjithatë, kur Roma
vendosi t'i binte Maqedonisë, të cilën e druante më tepër se çdo shtet tjetër në Lindje,
ia ngarkoi kumandën e kësaj shpedite gjeneralit më të zot të saj, konsullit Pavl Emil.
Ky, që ishte në moshë të thyer dhe i regjur në lufta, tregonte pastaj se nuk kishte
ndjerë kurrë në jetën e tij një frikë aq të madhe sa n'atë gjysmën e orës së parë kur u
sulmua, në Pidna, prej falangavet maqedonase. Mirëpo Perseu, mbreti i fundmë i
Maqedonisë, thuhet se iku i trembur dhe e la ushtërinë pa kumandë. Këtë e tërhoqën
atëhere manevrat e Pavl Emilit në një vend që s'ishte i përshtatshëm për kompaktësinë
e falangavet, të cilat u çanë sipas formës së tokës që vinte kodra e përrenj. Gjenerali
romak e kishte menduar këtë plan më përpara dhe iu dha urdhër legjionevet të hynin
nëpër të çarat e midis falangavet për t'i sulmuar këto nga brinjët. Me këtë mënyrë i
copëtoi falangat duke shtrirë njëzet mijë Maqedonas të vrarë në fushën e betejës. Pas
kësaj disfate, Perseu u dorëzua duke qarë e duke u lutur si një frikacak i dobët.

Mandej Pavl Emili, me një urdhër të Senatit, i ra befas Epirit për t'i kapur burrat si
gjahun në shtrofull, prishi gjer në themel 70 qytete dhe zuri robër 150.000 njerëz, të
cilët u shitën si skllevër, për të larë fymjen që Pirroja i pat bërë Romës. Ndërsa mbreti
i fundmë i Ilirisë, Genci, thyhej dhe binte rob në duart e Romakëve përpara murevet të
Shkodrës.

Kështu tre shtetet stërgjyshore të Shqiptarëvet, Iliri, Epir dhe Maqedoni, u ndodhën
bashkë n'orën e fundit kur i përfshiu njëherësh furtuna e Romës, në vitin 168 para
Krishtit. Mosorganizimi dhe grindjet e brendëshme i kishin dënuar të pësonin atë fat.

S'është vendi këtu të zgjatemi mbi kryengritjet e pastajme t'Ilirëvet, sidomos mbi atë
të vitevet 6-9 pas Krishtit, e cila vazhdoi tre vjet, e udhëhequr nga Batua i famshëm,
dhe e tronditi keq Perandorinë e Augustit. Por të gjitha këto u shtypën me
gjakderdhjet më të mëdha, shumë qytete të lulëzuara t'Ilirisë u bënë rrafsh për tokë
dhe sa e sa skllevër ilirianë mbushën tregjet e Italisë! Për të shtypur këto kryengritje,
Roma, përveç forcës, pat përdorur gjithmonë përçarjen.

Kur Iliria pastaj hyri në maqinën e shtetit romak, burrat e saj jo vetëm që iu bënë
mburojë Perandorisë në Rhen, në Danub e gjer në Kaukaz, por i dhanë gjeneralë dhe
perandorë nga më të zotët si Romës dhe Bizantit.

III
Ne Shqiptarët zbresim nga Ilirët, se edhe popullsia e Epirit përbëhej prej fisesh
iliriane. Shqipja i ka rrënjët në një gjuhë shumë të vjetër që flitej në pjesën më të
madhe të Ballkanit, ndoshta edhe më larg akoma, si në Itali dhe në brigjet e Mesdheut
lindor. Por ata popuj u romanizuan pjesërisht, dhe pjesërisht u sllavizuan. Grushtin më
të rëndë racës shqiptare ia kanë dhënë Sllavët, të cilët ranë në Ballkan aty nga shekulli
VI pas Krishtit dhe e mbuluan pothuajse të gjithë gadishullin. Ky komb shqiptar që ka
mbetur, pas shumë përpjekjesh t'ashpra me Sllavët, është rrjedha e grupit iliro-thrak të
dikurshëm. Ka shumë të ngjarë që edhe Maqedonët e Filipit dhe t'Aleksandrit ishin
një degë e këtij grupi. Nuk i dimë me hollësi tronditjet, çfarosjet ose shkrirjet që pësoi
kjo racë e vjetër në përpjekje me Sllavët; sepse historia e Shqipërisë është shumë e
errët gjatë atyre tre-katërqind vjetëve, që nga shekulli VI deri në të IX-in pas Krishtit.
Nëpër atë rrëmujë të tmerrshme, prej fiseve iliriane dolli kombësia shqiptare me
gjuhën dhe tiparet që ka pak a shumë edhe sot. Në shekujt XI e XII vendi ynë filloi të
quhej Arbëri ( Arbanon e Arbanum ose Albanon e Albanum, prej të huajve) dhe
Shqiptarët vetë u quajtën Arbëreshë. Ky është emri i një fisi ilirian që jetonte rreth
Krujës ose aty afër dhe përmendet në shekullin II pas Krishtit prej gjeografit
t'Aleksandrisë, Ptolemeut, i cili e quan në shumës Albanoi.

Në fillim të shekullit XI, kur perandori i Bizantit, Vasili II, i dha grushtin dërrmonjës
Mbretërisë Bullgare, Arbëreshët u çliruan prej sundimit bullgar dhe fillojnë të lozin
një rol, si grup ethnik që dallohej, në këtë pjesë perëndimore të Ballkanit. Por nuk
kanë ndërmjet tyre lidhje t'atilla sa të lëvizin bashkarisht si komb dhe të synojnë
autonominë kombëtare. Lëvizjet e tyre, si më të shumtën e herës gjatë historisë së
Shqiptarëvet, kanë karakter krahinor, lokal. Megjithatë, në ballancën politike t'asaj
kohe, ose më mirë të themi në përzjerjen që prunë Kryqëzatat ndërmjet Perëndimit
dhe Lindjes, populli arbëresh nisi të shikohej si një forcë; dhe perandorët e Bizantit,
mënjanë, princat e Italisë jugore (Normanët dhe pastaj Angjevinët) n'anën tjetër,
mundoheshin ta bënin për vehte duke i premtuar privilegje ose ulje taksash.

Përhapja e lidhjevet feudale në Ballkan prej Kryqëzatavet dhe dobësimi i Perandorisë


Bizantine nxitën daljen ose forcimin e disa familjeve të para arbëreshe, që u bënë
sundimtaret e vërteta të vendit. Nga mbarimi i shekullit XII dolli edhe një principatë e
lirë e Arbërisë me qendrën në Krujë ose aty rreth, për të cilën mjerisht dimë fare pak.
Themelonjësi i saj quhet Progon. Ky la dy djem, Gjinin dhe Dhimitrin. Dimë se
Dhimitri mbante titullin princ ose arhont i madh i Arbërisë.

Familjet më të vjetra arbëreshe, siç ishin Dukagjinët, në veri, Aranitët, në jugë,


Thopiajt, në Shqipërinë e Mesme, Muzakët etj., nisin të shquhen që në shekullin XIII.
Disa prej tyre, si Aranitët, përmenden edhe më përpara. Një kryetar arbëresh i quajtur
David Araniti ose Arianita merrte pjesë në luftën kundër Bullgarisë me Vasilin II, në
fillim të shekullit XI.

Këto familje, për të mbajtur pozitën dhe sundimin mbi krahinat e tyre, bënin politikën
e kohës me shtetet fqinjë duke e kthyer gunën nga të frynte era dhe shpeshëherë duke
luftuar kundra njëra-tjetrës. Herë njihnin autoritetin e Bizantit, herë atë të mbretit të
Napolit, por gjithnjë sa për emër. Me pëlqimin e tyre, Karli i Angjevinëvet (Charles
d'Anjou), mbreti i Napolit, shkarkoi një ushtëri në Durrës, në Shkurt të vitit 1272,
edhe e shpalli Shqipërinë mbretëri më vehte (Regnum Albaniae) nën kurorën e tij.

Kjo «mbretëri» qe e përkohshme dhe ra shpejt në harresë, por ka rëndësi për historinë
e Shqipërisë sepse hodhi në shesh idenë e një shteti shqiptar më vehte. Nga ana tjetër
provon se Shqipëria shikohej si një njësi ethnike dhe si portë e Adriatikut ku
përpiqeshin influencat ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Rifillimi i marrëdhënievet
me Perëndimin, hapja e një horizonti më të gjerë shkëmbimesh dhe ndikimesh e kish
ngritur jetën ekonomike e qytetare të vendit në një shkallë që s'qe njohur në shekujt e
mëparshëm. Tregëtia ishte zgjeruar, kultura dhe zejtaria kishin marrë hov lulëzimi,
limanet e Shqipërisë dëftenin një lëvizje të gjallë.

Përveç Perëndimit dhe Bizantit, një tjetër fuqi, nga anë e veriut, bënte n'atë kohë mbi
Shqipërinë një presion që vinte duke u shtuar: Mbretëria Serbe. Nuk ishte e para herë
që Serbët synonin tokat shqiptare. Qëkurse u formua shteti serb i Zetës, në shekullin
XI, nuk i qe ndarë Shkodrës dhe një pjese të Shqipërisë së Veriut. Më vonë, kur
Mbretëria Serbe u forcua me dinastinë e Nemanjavet, u përpoq vazhdimisht të
zgjerohej mbi tokat shqiptare në dy drejtime: nga anë e Kosovës dhe nga anë e
Adriatikut. Përparimet ose tërheqjet e saj në Shqipëri kanë qënë të herë-pas-hershme
dhe vareshin nga rrethanat ose nga zotësia e mbretërve serbë. Nën Uroshin II Milutin,
për shembull, nga mbarimi i shekullit XIII dhe në fillim të të XIV-it, Serbët e shkelën
Shqipërinë e Veriut gjer në Durrës, pushtuan edhe Kosovën me gjithë Maqedoni. Por
ai që shtiri përkohësisht të tërë Shqipërinë dhe pothuajse gjithë Ballkanin nën
sundimin e tij qe Stefan Dushani, i cili, më 1346, u shpall Car (domethënë perandor) i
Serbëvet, i Grekëvet, i Bullgarëvet dhe i Shqiptarëvet. Perandoria e Dushanit
zëvendësoi përkohësisht atë të Bizantit, së cilës i kishin mbetur vetëm Kostandinopoja
dhe disa qytete bregdetare. Por sundimi i Dushanit qe i shkurtër. Pas vdekjes së tij (më
1355) Perandoria Serbe nuk mundi të mbahej: u thërrmua në principata të pavarura.

Feudalët shqiptarë, të cilët ishin mjaft të fortë, mundën jo vetëm t'a spastronin vendin
nga mbeturitë e sundimit serb dhe të bëheshin zotër të Shqipërisë ethnike, por e
shtrinë edhe më tutje pushtetin e tyre, nga veriu, nga lindja dhe nga juga.

Jemi në gjysmën e dytë të shekullit XIV, kur Shqiptarët tregojnë gjallërinë dhe
shtrirjen më të madhe në Ballkan. Krijohen tri principata të pavarura, të cilat, pasi
dërrmojnë armiqtë e jashtëm dhe nënshtrojnë përbrenda feudalët më të vegjël, e
qeverisin vendin me fuqi sovrane. Është e para herë, ç'prej kohës s'Ilirëvet, që
Shqipëria ndodhet e tërë në duart e Shqiptarëvet dhe duket sikur ecën drejt bashkimit
në një shtet të vetëm.

Tri principatat e mëdha, që dolën përmbi të tjerat, qenë:

 ajo e Balshajvet, në veri, me qendër Shkodrën

 ajo e Thopiajvet, në Shqipërinë e Mesme, me qendër Krujën dhe pastaj Durrësin

 Despotati i Çamërisë, në jugë, me qendër Artën

Familja e Balshajvet nuk ishte e vjetër, dhe e kishte rrënjën nga një fshat i Shkodrës që quhej me
atë emër. Pas vdekjes së Stefan Dushanit, Balsha I plaku, i ndihmuar prej tre të bijvet, Strazimiri,
Gjergji I dhe Balsha II, e spastroi vendin nga zhupanët serbë, i shtroi nën vehte krerët e tjerë të
Shqipërisë së Veriut dhe të krahinavet të sotshme të Malit të Zi, u shtri nga bregu i detit gjer në
Tivar dhe formoi kështu një principatë të fuqishme me qendër Shkodrën. Principata vazhdoi të
zgjerohej me Gjergjin I duke arritur deri në Bosnje, nga anë e veriut dhe, nga lindja, deri në
Maqedoni. Për të këputur çdo lidhje me Sllavët dhe për t'u afruar me Perëndimin, Balshajt, nga
orthodokës që ishin, u kthyen katolikë. Megjithëse nga juga principata e tyre u ndesh n'atë të
Thopiajvet, Gjergji I dhe pastaj Balsha II mundën për disa kohë t'a shtrijnë sundimin mbi të
gjithë Shqipërinë e sotshme dhe të bëjnë përkohësisht bashkimin e shtetit shqiptar. Pushtuan
Myzeqenë, Beratin, Vlorën, duke arritur gjer afër Gjirokastrës, nga juga, dhe deri në Kostur, nga
lindja. Por u ndeshën, siç thamë, në principatën e Thopiajvet, së cilës Balsha II i mori Krujën dhe
Durrësin, më 1382. Atëhere Karl Thopia kërkoi ndihmën e Turqvet, të cilët n'atë kohë kishin
arritur deri në Maqedoni. Një ushtëri turke, nën kumandën e Hajredin Pashës, hyri në Shqipëri
më 1385, pushtoi Kosturin, Beratin, dhe u ndesh me fuqitë e Balshës II në fushën e Savrës, afër
Lushnjës. Shqiptarët u thyen dhe Balsha II u vra. Gjergj II Balsha, që erdhi pas tij, nuk ishte në
lartësinë e duhur dhe principata e Balshajve filloi të çthurej. Karl Thopia i pushtoi prapë
zotërimet e veta bashkë me Durrësin. Ushtëria turke, pas plaçkitjevet që bëri u tërhoq prej
Shqipërie. Por ky qe një shembull shumë i keq nga anë e Thopiajvet sepse iu hapi Turqve rrugën
për në të pastajmen.

E dyta principatë shqiptare e asaj kohe, ajo e Thopiajvet, me qendër Krujën dhe pastaj Durrësin,
u mundua, sikurse Balshajt, t'a bënte bashkimin e të gjithë Shqipërisë nën sundimin e saj.
Familja e Thopiajvet ishte e vjetër; por Karl Thopia, figura m'e shquar e asaj familjeje, i cili
mbante titullin princ ose Kont i Madh i Arbërisë, i dha principatës së tij formën e një shteti të
pavarur, pasi iu mori Durrësin Angjevinëvet dhe i shtroi nën vehte krerët e tjerë të Shqipërisë së
Mesme. Mjerisht, rivaliteti ndërmjet Thopiajvet dhe Balshajvet, i shtytur edhe prej Venetikut,
pengoi formimin e një shteti shqiptar të bashkuar.

Në të njëjtën kohë, principata e tretë shqiptare u krijua në Çamëri me Gjin Bua Shpatën dhe
Pjetër Loshën. Këta e mundën despotin e Epirit dhe të Thesalisë, Niqeforin II, më 1358, dhe u
bënë zotër të vendit. Njëzet vjet më vonë, më 1379, Gjin Bua Shpata i dërrmoi ushtëritë e
bashkuara të Grekëvet, Serbëvet, Napolitanëvet, dhe u shtri nga juga gjer në thellësitë e Greqisë
duke bërë Artën kryeqytet shqiptar.

Siç shihet, në gjysmën e dytë të shekullit XIV ndihet edhe në Shqipëri proçesi i përfshirjes së
zotërimevet të vogla në principata të mëdha. Me anë të këtij bashkimi, qoftë edhe i tripjesshëm,
kombësia shqiptare tregoi një fuqi zgjerimi e qëndrese që s'ishte parë gjer n'atë kohë. Pas
përmbledhjes së zotërimevet të vogla në principata të mëdha, kishte edhe një çap për t'u bërë -
çapi i përmbledhjes së principatavet në një mbretëri të vetëme - dhe Shqipëria do t'a kish gjetur
që atëhere bashkimin politik si shtet. Bashkimi politik do të sillte si pasojë edhe lartësimin
kulturor si dhe përmbledhjen e Shqiptarëvet në një Kishë, në një fe. Për fat të keq ky cak nuk u
arrit dot, sepse principata e Balshajvet dhe ajo e Thopiajvet qenë më të shumtën e herës në luftë
me njëra-tjetrën për çështje të sundimit. Secila prej tyre kishte stemën e saj, priste monedha edhe
ushqente ambicjen e kurorës mbretërore. Në këtë konflikt shtyhëshin edhe nga jashtë prej
Venetikasvet, Serbo-Bosnjakëvet, Napolitanëvet etj., të cilët kishin interesa ndërhyrjeje në
Shqipëri.

Balshajt qenë ata që e përmblodhën përkohësisht në një dorë të gjithë Shqipërinë dhe, përveç
njësimit politik, deshën t'i jepnin edhe njësimin fetar duke u kthyer ata vetë në katolikë. Por
familja e Thopiajvet do të kishte qenë ndoshta m'e përshtatshmja për të bërë bashkimin e
përgjithshëm mbasi ndodhej në Shqipërinë e Mesme, e favorizuar nga gjeografia. Dhe Karl
Thopisë nuk i mungonte as ambicja as zotësia për një vepër të këtillë. Duke qenë të dy familjet
në luftë kundër njëra-tjetrës, ky bashkim nuk u bë. Po edhe përmbledhja e përkohëshme e të
gjitha tokavet shqiptare në tri principata të mëdha solli dobi në ngritjen e shkallës ekonomike dhe
kulturore të vendit, në zhvillimin e jetës qytetare me zgjerimin e tregëtisë dhe përparimin e
zejtarisë. Shkëmbime tregëtare bëheshin sidomos me qytetet e Italisë. Zejtaria shqiptare çmohej
shumë në tregjet e jashtëm. Limanet e Shqipërisë, prej Tivarit gjer në Prevezë, tregonin një
lëvizje lundrimi nga më të gjallat në Adriatik dhe në detin Jon.
Nga fundi i shekullit XIV, principatat shqiptare u thërrmuan prej ndërhyrjeve të jashtëme e prej
grindjeve midis tyre dhe vendi ra përsëri në një anarki feudale, si më përpara. Bashkimin e
Shqipërisë në një shtet të vetëm, që s'u bë dot në shekullin XIV, u përpoq t'a bënte Skënderbeu,
në të XV-in, gjatë qëndresës kombëtare kundër Turkut.

IV
Turqit Osmanllinj u ngritën mbi gërmadhat e Turqve Selxhukë, në qendër t'Anadollit,
me princin Osman, i cili i dha emrin dinastisë, dhe formuan në fillim të shekullit XIV
një shtet feudalo-ushtarak të fuqishëm. Figurë energjike, Osmani, duke përfituar nga
çthurja e Perandorisë Bizantine, i pushtoi zotërimet e kësaj n'Azinë e Vogël dhe e
vendosi kryeqytetin e tij në Brusë. Pasardhësi i Osmanit, Sulltan Orhani, krijoi trupin
e jeniçerëvet (që do të thotë ushtëri e re) dhe repartet e kalorësisë së lehtë. I formuar
në luftë, shteti turk i dha kujdesin më të madh ushtërisë dhe, në pak kohë u bë fuqia
ushtarake m'e forta në botën e atëhershme.

Duke përfituar nga anarkia që mbretëronte në Ballkan, Turqit kapërcyen Dardanelet


më 1354 dhe pushtuan Thrakën lindore. Dhjetë vjet më vonë, e shpërngulën
kryeqytetin e tyre nga Brusa dhe e vendosën n'Adrianopojë (ose Edërne, siç e quajtën
ata). Gjendja e përzjerë e Ballkanit paraqitej siç duhej për ndërhyrjet dhe fitimet e
Turqvet. Perandoria Bizantine ishte rrethuar dhe mbyllur në Kostandinopojë;
Perandoria serbe e Dushanit ishte copëtuar në principata të pavarura, gjithmonë në
grindje midis tyre. Shpeshëherë këto principata s'e kishin për gjëkafshë që të kërkonin
ndihmën e Turqve kundër njëra-tjetrës. Nga shtetet e Perëndimit, Venetiku dhe
Mbretëria e Napolit, në kundërshtim interesash ndërmjet tyre, përpiqeshin të zotëronin
bregdetin e Adriatikut. Turqit dijtën t'i shfrytëzonin këto përçarje dhe t'i thyenin
kundërshtarët e tyre njërin pas tjetrit. Pasi dërrmuan qëndresën e parë të Serbëve në
betejën e lumit Marica, Turqit e pushtuan edhe Maqedoninë. Kjo gjendje i shqetësoi
më në fund feudalët ballkanas, të cilët u bashkuan me kralin Lazar të Serbisë në një
kryqëzatë të përgjithshme kundër Turqvet. N'atë lidhje merrnin pjesë edhe Shqiptarët
me princat Gjergji II Balsha, Theodori II Muzaka, ndoshta edhe një Gjergj Kastrioti,
gjyshi i Skënderbeut. Ushtëria e krishtere u ndesh me Turqit në fushën e Kosovës, më
1389, dhe u thye plotësisht. Mbetën të vrarë n'atë luftë Sulltan Murati I dhe krali
Lazar i Serbisë. Pat mjaft të vrarë edhe prej Shqiptarëvet. Kjo është beteja e famshme
e Kosovës të cilën Serbët e kanë përvetësuar në legjendat dhe këngët popullore të tyre.
Kurse në të vërtetë ushtëria e krishere ishte një kryqëzatë ku merrnin pjesë jo vetëm
Serbët, por edhe Shqiptarë, Bosnjakë, Bullgarë, Rumunë, Hungarezë dhe Polakë.

Pas luftës së Kosovës, Turqit, me Sulltan Bajazit Jilldërimin, i vazhduan përparimet e


tyre në Ballkan; pushtuan Thesalinë, nga juga, Bullgarinë, nga veriu, dhe arritën gjer
në Vllahi. Duke përdorur Shkupin dhe Manastirin si baza ushtarake, ata nisën një varg
shpeditash kundër Shqipërisë, ndërmjet vjetëvet 1393-1396, dhe e shkelën pothuajse
të gjithë vendin. Disa nga princat shqiptarë shpejtuan të merren vesh me ta duke e
njohur Sulltanin si kryezot. Të tjerët, me hir a me pahir, u shtruan përkohësisht nën
grushtin e Bajazit Jilldërimit. Por në të vërtetën, deri në fund të shekullit XIV dhe në
fillimin e të XV-it, Shqipëria vazhdoi të qeverisej prej krerëvet vendas, të cilët herë i
shtrohëshin Sulltanit e herë jo, sipas gjendjes dhe rrethanavet. Pas disfatës që pësoi
Sulltan Bajaziti n'Anadoll, më 1402, ku u mund dhe u zu rob prej Timurlengut, dhe
pas luftës që plasi ndërmjet djemve të tij për çështjen e fronit, krerët shqiptarë u
ngritën përsëri, duke pandehur se Turqia po shkatërrohej, dhe u bënë zotër të pavarur
nëpër krahinat e tyre. Por kjo mungesë e ndërhyrjes turke në Shqipëri nuk vazhdoi
shumë. Sepse më 1413, djali m'i madh i Bajazitit, Mehmeti I, pasi i zhduku njërin pas
tjetrit vëllezërit e tjerë, e bëri përsëri bashkimin e Perandorisë. Më 1415, Turqit
rifilluan vendosjen e autoritetit të tyre në Shqipëri. Po n'atë vit iu muarën Krujën
Thopiajvet; më 1417 zunë Beratin, Vlorën dhe Kaninën, më1419 zunë Gjirokastrën,
dhe pak vjet më vonë plotësuan pushtimin e të gjithë Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe,
disa nga krerët aty këtu patën filluar të këthehëshin myslimanë për të ruajtur pozitat e
tyre, por populli i tërë qëndronte i krishter.

Fuqia turke erdhi duke u shtuar, aq sa u bë një rrezik jo vetëm për Ballkanin po edhe
për gjithë Evropën. Më 1453, Sulltan Mehemti II pushtoi Kostandinopojën, duke i
dhënë fund Perandorisë bizantine, edhe e nguli aty kryeqytetin e tij, në vendin kyç ku
bashkohen Evropa me Azinë. Në shekullin e pastajmë, ushtëritë turke arritën tek
portat e Vienës.

Si shpjegohet kjo ngritje e shpejtë e Perandorisë Otomane, e cila mundi të


zëvendësojë Bizantin e vjetër?

Sepse n'atë kohë feudalizmi, i përhapur prej Kryqëzatavet, e kishte thërrmuar


Ballkanin në shumë zotërime e principata që luftonin vazhdimisht ndërmjet tyre.
Fshatarët ishin kthyer në bujq-robër, kurse qytetet e kishin humbur forcën, shkëlqimin
dhe rolin drejtonjës të dikurshëm qyshse patën rënë nën shfrytëzimin e Venetikut dhe
të republikave të tjera tregëtare të Perëndimit. Perandoria bizantine, e shkallmuar, e
kalbësyer, kishte mbetur si një hije. N'Evropën perëndimore nuk ishin formuar akoma
monarkitë e mëdha. Regjimi feudal nuk kishte asnjë pështetje në masat popullore, të
cilat përbëheshin prej bujq-robërve. Antagonizmi fetar ndërmjet Perëndimit dhe
Lindjes, ndërmjet Romës dhe Bizantit, i mbante të ndara këto dy botë nga njëra tjetra.
Ushtëritë e princave feudalë përbëheshin ose prej merçenarësh, ose prej bujq-robërish
të cilët s'i shtynte asnjë enthusiazëm; dhe kalorësitë e rënda të tyre, ngarkuar me
hekurishte si në Kohën e Mesme, nuk kishin shpejtësi lëvizjeje dhe manevrimi. Por
mbi të gjitha, kësaj bote kaotike i mungonte bashkimi, i mungonte renditja e fuqivet
dhe e mjetevet në një plan vepërimi të përbashkët.
Kur flasim sot për qytetërimin evropian t'asaj kohe, mendojmë rilindjen e artevet dhe
jetën e rafinuar t'oborrevet princore. Por nuk na shkon asfare nëpër mend se Kanuni i
Lek Dukagjinit ishte m'i lartë nga legjislacioni i Evropës s'atëhershme (edhe gjer në
kohën e Revolucionit frëng), ku masat fshatare e popullore ndodhëshin në gjendje
skllavërie. Aristokracia kishte të gjitha të drejtat; kurse një katundar, për vjedhjen më
të vogël, mund të dënohej me vdekje dhe varej nëqoftëse ashtu donte i zoti i tokës.
Edhe pas Revolucionit Frëng, në një shtet të Gjermanisë qe dënuar me vdekje dhe
varur një shërbëtore, e paditur se gjoja i kishte vjedhur zonjës së saj një ibrik çaji
t'ergjendtë. Ibriku se ku kishte rënë dhe u gjet pas disa ditësh, por shërbëtorja nuk u
ngjall më. Inkuizicioni, në disa vende, vazhdonte të digjte njerëz të gjallë edhe gjer në
shekullin XVIII. Kush nuk i di gjyqet dhe burgjet e tmerrshme të Venetikut kundër
atyre që paditëshin me letra anonime të hedhura në kutinë famëkeqe, e quajtur goja e
luanit? Kush nuk e ka kënduar romanxin e Manzoni-t, Të Fejuarit?

Perandoria Otomane u ngrit si një shtet feudalo-ushtarak dhe theokratik, ngushtësisht i


lidhur rreth një figure qendrore: rreth Sulltanit. Populli dhe ushtëria, të fanatizuar në
fenë islame, e adhuronin Sulltanin si përfaqësonjësin e Zotit në tokë. Mendimi i
përhapur se gjoja Turqit ishin të barabartë n'atë kohë në krahasim me Perëndimin,
është një legjendë. Si organizim ushtarak e shtetëror, si legjislacion, si barasi të
drejtash ndërmjet gjithë Myslimanëvet ose edhe të Krishterëvet që pranonin fenë
islame, si klasë eprore e hapur për të tërë ata që tregonin zotësi, pa dallim rrënje a
origjine, regjimi otoman i asaj kohe qëndronte më lartë nga sistemi i Evropës
perëndimore. Forcën e ushtërisë turke e përbënin jeniçerët dhe kalorësia e lehtë. Trupi
i jeniçerëvet formohej prej ushtarësh zakonisht të rrëmbyer që fëmijë ose të zënë rob
shumë të rinj nër popuj të krishterë, dhe pastaj fanatizuar, rritur e regjur në
mjeshtërinë e armëvet. Sulmet e tyre ishin të tërbuara dhe besnikëria ndaj Sulltanit
dëftehej e patundur. Kalorësia turke ishte e lehtë, e shpejtë në lëvizjet dhe sulmonjëse,
siç e tregonte edhe emri i saj: akinxhi. Këto dy forca goditëse shoqëroheshin prej
trupash të tjera të shumta dhe prej artilerisë së rëndë që vlente për të shembur fortesat.
Edhe organizimi shtetëror i Turqvet, n'atë kohë, ishte m'i përparuar se sa tek popujt e
Perëndimit. Ata regjistronin me kujdes vendet, popullsinë, dhe iu siguronin një farë
mprojtjeje e qetësie masavet fshatare e qytetare që iu nënshtroheshin pa luftë.
Kundrejt anarkisë që mbretëronte në Ballkan, ata vinin një farë rregulli nëpër vendet e
pushtuara duke lënë të lira fenë, zakonet dhe organizimin komunal të krahinavet. Në
parim, të gjitha tokat i përkisnin Sulltanit dhe të gjithë ata që i nënshtrohëshin
autoritetit të tij duhej të gëzonin mprojtjen e ligjit. Prandaj në regjimin otoman nuk
kishte bujq-robër pas mënyrës së feudalizmit ballkanik ose perëndimor. Përpara
pushtimit turk, në tërë sinisinë e Ballkanit, përveç Shqipërisë, masat fshatare ishin
bujq-robër, sidomos në Serbi dhe në Bullgari. Klasë borgjeze nuk kishte, veçse një
feudalizëm të kalbur që shfrytëzonte fshtarësinë. Prandaj Turqit nuk gjetën qëndresë
të fortë tek ata popuj, të cilët ishin më mirë nën autoritetin e Sulltanit se sa nën atë të
feudalëve vendas. Këto rrethana i dhanë dorë shtrirjes së pushtetit otoman. Turqit
tregohëshin shumë t'egër kundrejt popujvet që iu qëndronin me armë, si në Shqipëri
për shembull, ku patën bërë vrasje, presje, djegie, skllavërime e shkretime të
hatashme. Për këtë kishin edhe një arësye tjetër: Shqipëria ishte ura ndërlidhëse e
Perëndimit dhe e katolicizmit, armiku numër një i Osmanllinjvet. Por mbi popujt e
nënshtruar Turqit mbanin një sundim sidomos ushtarak dhe, përveç mbledhjes së
taksavet, ndërhynin fare pak në punët e brendëshme të tyre. Klasa sundonjëse turke
nuk ishte një rreth i mbyllur si aristokracia e Perëndimit. Kushdo që tregonte zotësi,
mund t'arrinte në shkallët më të larta të Perandorisë. Shembuj si ai i Ballaban Pashës, i
cili ishte i biri i një bariu nga Mati, ka me mijëra në historinë e Turqisë. Masat
fshatare e popullore gëzonin një farë gjendjeje juridike, të cilën nuk e kishin në botën
e Perëndimit.

Qëndresa e rreptë e Shqiptarëvet kundër Turqvet shpjegohet prej arësyes se malësorët


shqiptarë ishin të lirë dhe rregullohëshin pak a shumë sipas zakonevet që përmblidhen
në Kanunin e Lek Dukagjinit. Klasa e feudalëve të Shqipërisë, e dalë vetë nga
fshatarësia, kishte një karakter patriarkal dhe ishte e lidhur më ngushtë me masat e
gjera të popullit. Edhe nëpër fushat shumica e fshatarëvet ishin të lirë. Bujq-robër
kishte sidomos nëpër krahinat që ndodheshin nën sundimin e Venetikut. Qytetarët,
tregtarë e zejtarë, mbanin liritë e tyre, veçanërisht n'ato qytete ku nuk kishte ngulur
thonjtë Republika e Shën-Markut. Kjo gjendje shoqërore e shpjegon pjesërisht
epopenë e Skënderbeut, i cili nuk do të kishte mundur ndoshta të bënte një qëndresë
t'atillë sikur të mos kish pasur pështetjen e masavet fshatare e qytetare.

V
Në krye të shekullit XV, gjendja politike e Shqipërisë kishte ndryshuar. Principatat e
mëdha, për të cilat folëm më sipër, ishin copëtuar. Fuqitë e huaja kishin vënë prapë
këmbën në tokat shqiptare. Venetiku i pushtoi njërin pas tjetrit Durrësin, Leshin,
Drishtin, Shkodrën, Ulqinin e Tivarin. Në jugë, Napolitanët, të ndihmuar dhe prej
Grekëvet, mundohëshin të shkelnin Despotatin e Artës. Shpeditat ushtarake të Turqvet
e kishin trazuar fort gjendjen e brendëshme. Disa nga krerët e vendit i qenë nënshtruar
Sulltanit, disa të tjerë i patën humbur fare zotërimet e tyre.

Por deri në çerekun e parë të shekullit XV, sundimi turk, i tronditur prej katastrofës që
pësoi n'Anadoll Bajazit Jilldërimi dhe prej luftës për fronin që plasi midis djemvet të
tij, qëndroi i lëkundshëm në Shqipëri. Më të shumtat e krahinave qeverisëshin prej
krerëve vendas, të cilët i paguanin Sulltanit një haraç të përvitshëm dhe i shkonin në
ndihmë me ushtëri kur ai t'i thërriste. Por feudalët shqiptarë nuk iu qëndronin
gjithmonë këtyre kushteve. Prandaj Turqit dërgonin herë pas here ushtëri për t'i vënë
n'udhë ata që s'bindëshin.
Mvarësia tek Sulltani nuk i ndalonte krerët shqiptarë të luftonin ndërmjet tyre për të
zgjeruar zotërimet në kurriz të njëri-tjetrit. Këto grindje shtyhëshin edhe prej Turqvet
vetë, nga njëra anë, edhe prej Republikës së Venetikut, nga ana tjetër.

Kështu, në krye të shekullit XV, Shqipëria ra prapë në një thërrmim zotërimesh a


principatash të vogla, të cilat përgjithësisht pështeteshin ose tek Turqit, ose tek
Venetiku. Mbi principatat e Balshajvet dhe e Thopiajvet kishin dalë përsëri në dukje
familjet e vjetra, si ajo e Dukagjinëvet, e Aranitëvet, e Muzakëvet, e Zahariajvet, e
Dushmanëvet, e Spanëvet, e Jonimëvet, e Gropajvet etj., ose familje të reja, si ajo e
Kastriotëvet. Thopiajt dhe Balshajt mbahëshin akoma si familje, por zotërimet e tyre
qenë ngushtuar tepër. Një pinjoll i shtëpisë së Balshajvet, Balsha III, i biri i Gjergjit II,
u përpoq t'a mëkëmbte përsëri principatën e gjyshëvet dhe luftoi disa vjet me radhë
kundër Venetikut duke pushtuar përkohësisht edhe Shkodrën. Por kushtet kishin
ndryshuar dhe, megjith energjinë e tij, Balsha III nuk e ringjalli dot principatën e
vjetër.

Edhe Despotati i Artës, në jugë, pas vdekjes së Gjin Bua Shpatës (më 1400), u nda në
dy pjesë. Epiri i jugës ose Çamëria, me Janinën si qendër, mbet në duart e Maurik
Buas, vëllaj i Gjin Bua Shpatës. Kurse krahinat veriore me qendër Gjirokastrën
formuan një principatë më vehte nën Gjin Zenebishin. Të dy këta kryezotër, për të
mprojtur principatat e tyre, luftuan vazhdimisht kundër Napolitanëvet, Grekëvet dhe
Serbëvet.

Nga familjet e para të vendit shquhëshin tani ajo e Aranitëvet, në jugë, ajo e
Dukagjinëvet, në veri, dhe ajo e Kastriotëvet në veri dhe në Shqipërinë e Mesme.
Këto tri familje, duke përfituar nga natyra malore e krahinavet që zotëronin dhe ku
ndërhyrja ushtarake e Turqve ndeshte në vështirësi më të mëdha, patën mundur të
shkëpusnin ca të drejta më shumë prej Sulltanit dhe t'ushtronin një farë ndikimi mbi
krerët e tjerë më të vegjël. Pas thërrmimit që pësuan principatat e Balshajvet dhe të
Thopiajvet, Aranitët, përveç Kaninës, Labërisë, Himarës, patën shtirë nën zotërimin e
tyre Çermenikën, Mokrën dhe Shpatin, rreth Elbasanit të sotshëm. Kastriotët, përveç
Matit dhe Dibrës, e zgjeruan principatën e tyre, afër-ngjat, prej Shufadaje, në jugë të
Leshit, deri në Prizrend. Zotërimet e Dukagjinëvet shtrihëshin prej malësisë së Leshit
gjer në Kosovë.

VI
Familja e Kastriotëve nis të shquhet nga mbarimi i shekullit XIV dhe në fillim të të
XV-it, me Gjon Kastriotin, t'atin e Skënderbeut. Mbi të parët e tij nuk dimë pothuajse
asgjë. Gjin Muzaka, në Gjenealogjinë,thotë se i gjyshi i Skënderbeut quhej Pal
Kastrioti dhe se zotëronte vetëm dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtmë, që
ndodhen në Dibrën e Poshtme, pranë Drinit. Dëshmi e Gjin Muzakës ka të ngjarë të
jetë e vërtetë, sepse ky ishte i njëkohshëm i Skënderbeut dhe kishte lidhje familjare
me Kastriotët. Një tjetër gjenealogji e lajluar, shkruar më vonë prej Andrea Engjëll
Komnenit, na çon gjer tek stërgjyshi i Skënderbeut, i cili, sipas këtij auktori, quhej
Kostandin, dhe i gjyshi, Gjergj. Ky emër i fundit përputhet me atë që jep historiani
gjerman J. Hammer-Purgstall, i cili thotë se në luftën e Kosovës, më 1389, ndodhej
edhe një princ shqiptar i quajtur Gjergj Kastrioti, që propozoi në këshillën e luftës t'iu
bihej Turqvet natën. Veçse Hammer-i nuk shënon se ngaha e di këtë hollësi, dhe
s'kemi asnjë dokument që t'a vërtetojë. Ndoshta Hammer-i e ngatërron emrin e Gjergj
Balshës me atë të Gjergj Kastriotit.

Është shkruar shumë edhe mbi origjinën e Kastriotëvet. Por dokumentat më të


pakundërshtuarshme vërtetojnë se ishin prej malësisë së Hasit, nga një katund i
quajtur Kastriot.

Sikurse Balshajt, ashtu edhe Kastriotët, të dalë nga një origjinë fshatare, patën një
ngritje të shpejtë. I pari që e bëri të njohur familjen e Kastriotëvet dhe që e vuri në një
radhë me familjet princore më të mëdha të Shqipërisë, qe Gjon Kastrioti. Ka shumë të
ngjarë që ky të mos ketë trashëguar nga i ati veçse dy fshatrat që përmend Gjin
Muzaka. Por pastaj vetë, duke përdorur herë politikën e herë forcën, arriti të formojë
një principatë.

Në tronditjen që pësoi Shqipëria dhe gjithë Ballkani nga sulmet e para të Turqvet,
Gjon Kastrioti, duke manevruar me mjeshtëri, herë si aliat i Venetikut, herë si vasal i
Sulltanit, i zgjeroi vazhdimisht zotërimet e veta mbi ngastrat e principatës së
Balshajvet dhe t'asaj së Thopiajvet. Nuk mund të japim kufij të përpiktë të principatës
së Gjon Kastriotit, sepse kufijt e zotërimevet feudale, n'atë kohë, ndryshohëshin
shumë shpejt. Sipas dokumentavet më të pranuarshme, Gjon Kastrioti, pasi zotëroi
Dibrën dhe Matin, e shtriu sundimin e tij gjer në rrethet e Tiranës dhe, nga anë e detit,
gjer në Shufadajë të Leshit, duke përfshirë kështu të tërë principatën e vjetër
t'Arbërisë. Por Krujën duket se nuk e pati ose e mori më pastaj. Nga veri-lindja,
principata e tij arrinte gjer në Prizrend. Këta kufij, në vija të përgjithshme, vërtetohen
nga një traktat tregëtie dhe të drejtash doganore nënshkruar prej Gjon Kastriotit dhe
katër bijvet me Republikën e Raguzës, më 1420. Aty caktohen taksat që duhej të
paguanin tregëtarët raguzanë për të kaluar nëpër tokat e Kastriotëvet, prej Shufadajës,
në jugë të Leshit, gjer në Prizrend.

Gjon Kastrioti ishte martuar me Voisavën, të bijën e sundimtarit të Pollogut, krahinë


që shtrihej midis Tetovës dhe Shkupit. Megjithëse një pjesë e banorëve të Pollogut
përbëhej prej Bullgarësh, familja sundonjëse Tribalda (ose "Triballorum princeps" siç
e quante Barleti, emër që vjen nga dy fjalët shqipe : Tri-ballë) ishte fjeshtë shqiptare
dhe i vazhdonte martesat me dyer shqiptare. Sipas Gjin Muzakës, Voisava lidhej nga e
ëma me familjen e Muzakajvet. Prej kësaj martese Gjon Kastrioti pati pesë vajza dhe
katër djem: Stanishin, Reposhin1 Kostandinin dhe Gjergjin. Ky m'i vogli u bë
Skënderbeu i famshëm. Duket se Stanishi i qe dhënë peng Sulltanit disa herë, dhe ish
martuar me një zonjë turke nga e cila pati një djalë, Hamzë Kastriotin2 që e nisi aq
mirë dhe e sosi aq keq historinë e tij. Katër nga vajzat i martoi Gjon Kastrioti në
familje të mëdha, duke zgjeruar rrethin e lidhjevet miqësore. Më të voglën, Mamicën,
e martoi Skënderbeu me Muzakë Thopinë, pasi e çliroi principatën prej Turqvet.

Nuk i dimë me hollësi përpjekjet e para të Gjon Kastriotit, nga mbarimi i shekullit
XIV, sesi arriti të formonte një principatë duke u nisur nga dy fshatrat që i la i-ati.
Duket se dinte të përfitonte nga rastet a rrethanat e brendëshme e të jashtëme dhe t'a
loste mirë politikën e kohës.

Gjatë luftës së brendëshme që plasi në Turqi midis djemve të Bajazitit I për


trashëgimin e fronit, Gjon Kastrioti, sikurse edhe krerët e tjerë të Shqipërisë, u përpoq
të çlirohej nga sundimi turk. Por duket se më 1410 u thye dhe u shtrëngua t'iu jepte
Turqve si peng një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishin. Një vit më vonë, Gjon Kastrioti
kërkon t'afrohet përsëri me Republikën e Venetikut si edhe me atë të Raguzës, të cilat,
më 1413, e njohën njëra edhe tjetra si qytetar nderi. Me këto lidhje shpresonte ndoshta
të forconte pozitën e tij kundrejt Turqvet. Por kur lufta për fronin mori fund tek
Osmanllinjtë dhe Sulltan Mehmeti I e mblodhi të tërë Perandorinë nër duart e tij, Gjon
Kastrioti e pau pisk, si të gjithë Shqiptarët. Më 1415, ushtëritë turke sulmuan përsëri
Shqipërinë për të rivendosur autoritetin e lëkundur të Sulltanit. Gjon Kastrioti duket se
u nënshtrua, mbasi më 1416 përmendet si vasal i Turqisë. Por principatën e tij e ruajti
dhe ndoshta e zgjeroi ca më shumë. Vazhdonte gjithashtu të bënte një politikë të tijnë
me shtetet fqinjë. Më 1420, nënshkroi me Republikën e Raguzës traktatin që
përmendëm më sipër. Më 1422, kur Venetiku ndodhej në luftë me Krajlin e Serbisë,
Stefan Lazareviçin, Gjon Kastrioti mori anën e Krajlit, të cilit i dërgoi në ndihmë edhe
një nga djemtë e tij me një ushtëri shqiptare. Por pastaj u tërhoq nga lufta dhe hyri si
ndërmjetës për të rregulluar paqen midis dy palëve.

Më 1423, Sulltan Murati II dërgon një ushtëri të fortë në Shqipëri për të vendosur
pushtetin turk - gjithmonë i lëkundshëm deri atëhere - dhe për të siguruar besnikërinë
e vasalëvet. Gjon Kastrioti mundi t'a shpëtojë edhe këtë herë principatën e tij, por
duket se u shtrëngua t'i jepte Sulltanit tre ose katër djemtë si peng.

Më 1426, Gjon Kastrioti me të katër të bijtë përmenden së bashku në një dokument


me anën e të cilit i falin dy fshatra manastirit serb të Hilandarit, në Mal të Shenjtë.
Nga kjo mund të besohet se në këtë datë të katër djemtë ndodhen përsëri pranë
familjes3.
Organizimi që patën nisur të bënin Turqit në Shqipëri duke regjistruar tokat dhe
popullsinë dhe duke futur administratën e tyre në shumë pjesë të vendit, pat mërzitur
jo vetëm krerët feudalë por edhe masat e gjera të popullit, të cilat në shumicë
përbëhëshin prej fshatarësh të lirë. Prandaj që të gjithë ishin gati për kryengritje porsa
të paraqitej rasti i volitshëm.

Gjon Kastriotit iu duk se erdhi ky rast më 1428, kur Sulltan Murati II i hapi luftë
Venetikut për t'i marrë Selanikun. Njëkohësisht Turqit sulmuan edhe qytetet
bregdetare të Shqipërisë që ndodhëshin nën Venetikun. Lufta mori gjatë në fillim, dhe
Gjon Kastrioti u lidh me Republikën duke shpresuar se këtë herë mund të shkëputej
nga mvarësia e Sulltanit. Por fati i luftës ndryshoi më 1430. Turqit e pushtuan
Selanikun dhe nisën në drejtim të Shqipërisë një ushtëri të madhe, nën kumandën e
Isak Bej Evrenozit, për të shtypur kryengritësit. Furtuna u përplas mbi Gjon
Kastriotin, i cili këtë herë u thye keq dhe u shtrëngua të bënte me Sulltanin një paqe
me kondita shumë të rënda: të gjitha kështjellat e Gjon Kastriotit u pushtuan prej
Turqvet. Ca prej tyre u prishnë; në disa të tjera, si në Krujë e në Sfetigrad, Turqit vunë
garnizone ushtarake. Krahina e Dibrës kaloi nën sundimin e Turqve, që e lidhën me
vilajetin e Kosovës. Pjesa tjetër e principatës fort e ngushtuar i mbet prapë Gjon
Kastriotit, por ky detyrohej të paguante haraç më të rëndë dhe të shërbente n'ushtërinë
turke bashkë me të bijtë kurdoherë që të thërritej. Për t'i shpëtuar furtunës, ati edhe
djemtë u kthyen myslimanë, sa për dukje, dhe Gjoni vetë mori emrin Hamza.

Venetiku bëri paqe të veçantë me Sulltanin dhe i ruajti qytetet që kishte në Shqipëri.
Por Gjon Kastrioti s'u ngrit dot më prej katastrofës së vitit 1430. Përmendet edhe një
herë më 1438, kur ai bashkë me të bijtë kërkojnë të bëhen qytetarë të Venetikut. Sipas
një dokumenti të datës 10 Korrik 1439, u bënë edhe qytetarë nderi të Republikës së
Raguzës. Në këtë dokument, emri i Gjergj Kastriotit është shkruar dhe pastaj prishur
me një vijë. Nga kjo kuptohet se Skënderbeu, n'atë kohë, kishte marrë famë
n'ushtërinë turke dhe shikohej si armik i krishterimit. Gjon Kastrioti vdiq aty nga viti
1442, dhe mbeturitë e principatës së tij u pushtuan prej Turqvet.

Mbasi dërrmuan Gjon Kastriotin, më 1430, dhe e shkelën të tërë Epirin duke marrë
edhe Janinën, më 1431, Turqit iu vunë me forcë organizimit të vendit sipas mënyrës
së tyre. Krijuan një sanxhak të Shqipërisë, me qendër në Gjirokastër, i cili përmblidhte
pothuajse të gjitha krahinat e shkelura, përveç disa malësive të veriut dhe qytetevet që
ndodhëshin nën Venetikun. Vendosja e administratës turke, me regjistrimin e tokave
dhe të popullsisë, me detyrimin e taksave dhe t'angarive, ishte një masë fort e rëndë
për Shqiptarët, të cilët qenë mësuar të jetonin të lirë nër malet e tyre. Prandaj, si krerët
ashtu edhe populli u gjetën të gatishëm për një kryengritje të përgjithshme.

Flamurin e kryengritjes, këtë radhë, e rroku Gjergj Araniti pasi u muar vesh me të
tjerë krerë të pakënaqur si ai. Por shënjat e para të luftës i dha Andrea Thopia, i cili u
ngrit me rrethet e Durrësit dhe të Tiranës, në verën e vitit 1432, dhe theu një ushtëri
turke në malet e Krrabës. Kryengritja u përhap deri në veri, ku Shqiptarët, nën
kumandën e Nikollë Dukagjinit, sulmuan qytetin e Danjës. Kryengritësit iu ranë kudo
garnizonevet turke dhe e spastruan vendin prej spahinjve të Sulltanit. Turqit dërguan
fuqi të reja dhe e shtypën lëvizjen në veri dhe në Shqipërinë e Mesme. Por kur u
ndeshën, në jugë, në qëndresën e Gjergj Aranitit, u thyen plotësisht. Atëhere Ali Bej
Evrenozi, sanxhakbeu i Shqipërisë, u nis me një ushtëri të madhe për t'a shtypur
kryengritjen e Aranitit dhe për t'a shtruar vendin me zjarr e me hekur. Ngado që kaloi
kjo ushtëri, bëri dëme të mëdha. Por në male të Kurveleshit, ku e priste Gjergj Araniti,
u bë një luftë e përgjakshme në të cilën Turqit u dërrmuan plotësisht. Në sulmet e tyre
për të kapërcyer grykat e maleve, ata u shpartalluan dhe u copëtuan tërësej prej
Shqiptarëvet. Ali Bej Evrenozi mezi mundi të tërhiqej me një pjesë të vogël t'ushtërisë
së tij.

Kjo fitore e Gjergj Aranitit bëri bujë lartushtuëse n'Evropë dhe ngjalli shpresa të reja,
sepse ishte e para herë që një ushtëri e madhe turke dërrmohej në një mënyrë t'atillë
prej një ushtërie të krishtere. Papa Eugjeni IV, mbreti Alfons V i Napolit, Republika e
Raguzës dhe perandori gjerman Sigismund i dërguan Aranitit letra përgëzimi dhe
premtime për ndihmë.

Po n'atë vit, më 1433, Araniti korri një fitore të dytë kundër Turqve, dhe një fitore të
tretë në vitin 1434. Kjo iu dha zemër edhe Shqiptarëve të krahinave të tjera. Rrethet e
Gjirokastrës thirrën Depe Zenebishin, që ndodhej në Korfus, u ngritën dhe e qarkuan
qytetin. Por garnizoni turk qëndroi deri sa arriti nga Thesalia, në mes të dimrit, Turhan
Pasha me një ushtëri të madhe, i cili iu ra Shqiptarëvet prapa krahëvet. Të ndodhur
befas midis dy zjarresh, Shqiptarët u thyen duke lënë përmbi njëmijë të vrarë. Depe
Zenebishin e zunë rob Turqit edhe e varën.

Fuqi të reja turke erdhën nga Rumelia, nën kumandën e Sinan Pashës, për të shtypur
kryengritjen shqiptare. Gjergj Araniti iu bëri ballë deri më 1435. Pastaj u thye, u
tërhoq malevet dhe u shtrëngua të nënshtrohej si vasal i Sulltanit.

Më 1437, një tjetër kryengritje shpërtheu në rrethet e Beratit, e udhëhequr nga


Theodhor Korona Muzaka, i cili e mori qytetin. Por një ushtëri e madhe turke arriti
rishtaz nga Thesalia, nën kumandën e Turhan Pashës, dhe e rrethoi Beratin. Kjo
ushtëri, pasi e rrahu me top fortesën disa muaj me radhë dhe s'mundi t'a merrte, iu
lëshua Myzeqesë ku vrau e preu barbarisht sa deshi, dhe Turhan Pasha e nxori dufin
duke ngritur një piramidë me koka të prera Shqiptarësh. Ata krerë të Myzeqesë që u
zunë të gjallë, Turqit i vranë duke ua thyer kockat me çekan.

Siç shihet, të gjitha këto kryengritje u shtypën njëra pas tjetrës se nuk ishin të lidhura
në një plan vepërimi të përbashkët, nuk bëhëshin në të njëjtën kohë dhe nën një
kumandë të vetëme. Secili princ a kryetar luftonte veças në krahinën e tij, kur i
mbushej mendja, dhe natyrisht ishte i dënuar që të shtypej. Kundër një perandorie
ushtarake aq të fortë siç ishte Turqia, duhëshin bashkuar të gjitha fuqitë e kombit në
një shtet të përqendruar dhe nën një kumandë. Mandej duhej ndërlidhur lufta e
Shqiptarëvet me atë të popujve të tjerë që kishin të njëjtin armik. Këtë bashkim të
forcavet shqiptare nën një kumandë të vetëme dhe në një shtet të përqendruar u
mundua t'a bënte Skënderbeu, siç do t'a shohim më poshtë.

1
Sipas Barletit, Gjin Muzakës dhe Volaterranus-it, Reposhi ishte djali i parë i Gjon Kastriotit.
2
Sipas Barletit dhe Volaterranus-it, Hamza ishte i biri i Reposhit.
3
Sipas këtij dokumenti, djali i parë i Gjon Kastriotit ishte Stanishi. Kjo vërtetohet prej radhës në të cilën janë vënë
emrat.

VII
Mbi jetën djaloshare të Skënderbeut nuk dimë pothuajse asgjë. Sipas kronologjivet që
kemi, duhet të ketë lindur aty nga viti 1405. Bëhet i njohur për ne pas vitit 1443, kur
hyn në histori si udhëheqës i një kombi të vogël që kërkon të mprojë lirinë e tij kundër
perandorisë më të fortë të kohës. Dhe çuditërisht i bëri ballë asaj perandorie
njëzetepesë vjet rresht, me shpatë në dorë, pa u thyer, pa u përkulur, derisa vdiq.

Gjer tani vonë kishte një tregim, që duket si legjendë, mbi djalërinë e Skënderbeut.
Auktori i këtij tregimi është Marin Barleti, një prift shkodran, i cili u mërgua në
Venetik pasi ra Shkodra, dhe atje shkroi latinisht një histori të bukur të Skënderbeut,
që u botua në fillim të shekullit XVI. Kjo vepër - aq tërheqëse nga ana letrare sa që u
këndua gjithmonë me shije dhe u përkëthye në shumë gjuhë t'Evropës - lë mjaft për t'u
dëshiruar si histori: është më fort si një epope në prozë e kryetrimit. Megjithatë,
Barleti mbetet si burimi kryesor i shumë historive të Skënderbeut që janë shkruar më
pastaj, dhe ngjarjet që tregon ai vërtetohen shpeshëherë prej dokumentash të tjera.
"Legjenda" e tij mbi djalërinë e Skënderbeut, të cilën, në vija të përgjithshme, e tregon
edhe Dhimitër Frëngu (ose pseudo-Frëngu, siç e quan kritika e sotshme), mund të
përmblidhet shkurtazi kështu:

Gjon Kastrioti, i mundur, u shtrëngua t'i jepte Sulltan Muratit II të katër djemtë si
peng, nër të cilët, m'i vogli, Gjergji, ishte nëntë vjeç. Djemtë u kthyen myslimanë dhe
u vunë në shkollën ushtarake të Pallatit, n'Edërne. Pas ca kohe, tre më të mëdhenjtë
vdiqnë të helmuar prej Turqve. Kurse Gjergji, me paraqitjen dhe zgjuarësinë e tij, fitoi
simpathinë e Sulltanit dhe u bë i dëgjuar nën emrin mysliman Skënderbej. Me cilësitë
e rralla që tregoi, arriti gradën e gjeneralit në kalorësinë turke që në moshën
njëzetepesë vjeç dhe mori famë duke luftuar për Sulltanin n'Anadoll e gjetkë. Por kur
vdiq Gjon Kastrioti, Sulltan Murati II e pushtoi principatën e tij, në vend që t'ia jepte
Skënderbeut si trashëgimtar. Atëhere ky vendosi të këthehej në Shqipëri, t'a merrte
principatën me forcë dhe t'iu tregonte grushtin Turqvet. Rasti i volitshëm i erdhi më
1443, kur ushtëria otomane u mund prej Gjon Huniadit në betejën e Moravës, afër
Nishit. N'atë luftë merrte pjesë edhe Skënderbeu bashkë me Turqit, dhe veproi në
mënyrë që t'ia bënte Huniadit të mundëshme fitoren. Në rrëmujën e tërheqjes, kapi
sekretarin e vulës së Sulltanit dhe e shtrëngoi t'i jepte një dekret për qeveritarin e
Krujës, që ky, n'emër të Muratit II, t'ia dorëzonte qytetin Skënderbeut. Pastaj, që të
mos zbulohej plani, e vrau sekretarin e Sulltanit; dhe bashkë me treqind kalorës
shqiptarë që kishte me vehte, dhe me të nipin, Hamzën, u kthye në Shqipëri. Pasi e
mori Krujën me anën e dekretit të rrem, mblodhi një fuqi dhe i pushtoi fortesat e tjera
në një muaj e sipër duke e çliruar të tërë principatën.

Fan Noli, në botimin e dytë të historisë së Skënderbeut, bën këtë vrejtje: "E para, si
është e mundur që një çilimi prej nëntë vjetësh të rritet si Muhamedan gjersa u bë
burrë i pjekur prej dyzet vjetësh, edhe pas të dyzetave të këthehet i Krishterë dhe të
çfaqet përpara botës si një nga çampionët më të mëdhenj të Krishterimit? E dyta: Si
është e mundur që ky çilimi të shtudionjë nja pesëmbëdhjetë vjete në shkollën
ushtëriake të pallatit, të shërbenjë nja pesëmbëdhjetë vjete të tjera si oficer në
ushtërinë e rregullt të Sulltanit, dhe më në funt, tamam kur u gradua gjeneral, të
dezertonjë dhe të bëhet një nga kapedanët më të dëgjuar të bashibozukëve dhe një nga
ustallarët më të shkëlqyer të luftës së parregullt të maleve? Çudira të këtilla ngjajnë
vetëm në mithollogji dhe jo në histori. Logjika elementare e kërkon që Skënderbeu të
jetë rritur dhe fanatizuar si i Krishterë në konakun e Kastriotëve nga njëra anë, dhe
nga tjetra të ketë shtudiuar zanatin e luftës bashibozuke në një universitet të
specializuar për këtë degë, në malet edhe në rripat e Shqipërisë, me profesorë si i ati,
si të vëllezërit, edhe si kapedanët e tjerë më të djathtë e më të mëngjër"

Megjithëse kjo vrejtje e Nolit duket me vend nga njëra anë, nga ana tjetër vinë dy
pyetje të cilat duan përgjigje: E para, si është e mundur që Skënderbeu, vetëm
me zanatin e luftës bashibozuke të shtudiuar në malet edhe rripat e Shqipërisë të
përballonte gjatë njëzetepesë vjetëve fuqinë ushtarake më të madhe të kohës, dhe më
të shumtën e herës në luftë frontale? Edhe kur ajo ushtëri vinte e kumanduar prej vetë
sulltanëvet, me artilerinë më të rëndë t'atëhershme dhe në numër nja dhjetë herë m'e
madhe nga ushtëria e Skënderbeut, ky e pat përballuar me anën e organizimit të
mprojtjes si në fortesat ashtu edhe jashtë, me anën e një vepërimi të ndërlidhur dhe të
disiplinuar, qoftë kur e goditte armikun në befasi të rrufeshme, qoftë kur i priste
prapavijat a kur tërhiqte në pusi reparte të kalorësisë turke. Për këtë lloj pune, përveç
një mendjeje strategu të radhës së parë, duhet edhe një farë njohurie e artit të luftës.
Dhe Skënderbeu e njihte artin ushtarak në mënyrën më të përsosur, siç e treguan
veprat e tija. E dyta, si qe e mundur që, në Kuvendin e Leshit, të gjithë krerët
shqiptarë - deri një Gjergj Aranit në ballin e të cilit shkëlqenin fitoret e vjetëvet 1433-
1435, deri Dukagjinët që mbahëshin si një familje m'e vjetër nga e Kastriotëvet - t'a
njihnin Skënderben me një zë si kryetar të Lidhjes dhe si kryekumandar të forcavet
shqiptare të bashkuara kundër Turkut? Këto arësye na bëjnë të mendojmë se
Skënderbeu duhej të kishte një emër të madh n'atë kohë, emër që iu frymëzonte besim
krerëvet shqiptarë. Këtë e thotë haptas Gjin Muzaka1, i cili tregon edhe se Gjergji
bashkë me dy nga vëllezërit i qenë dhënë Sulltan Muratit që të vegjël; po kur u
bëTurk (mysliman), e quajtën Skanderbeg, dhe u rrit i ditur, i ardhur e trim. Sipas
Muzakës, në Kuvendin e Leshit Zotërinjtë e Shqipërisë e bënë
Skënderben Kapedan (kryekumandar) të tyren sepse ishte i zoti në luftë e i vlefshëm,
prandaj gjithkush do t'i bindej dhe do t'a ndihmonte me ushtarë e me të holla; po ashtu
disa nga djemtë e familjeve bujare luftonin nën urdhërat e tij, edhe për të mësuar
mjeshtërinë e luftës, edhe për të mprojtur krahinat e tyre.

Tani duhet shpjeguar se ku u bë Skënderbeu mjeshtër i luftës dhe ku i kishte treguar


deri atëhere ato cilësi ushtarake sa t'a njihnin për kryekumandar dhe t'i bindëshin të
tërë Zotërinjtë e Shqipërisë? A është punë e lehtë që Shqiptarët t'i binden kujtdo? Dhe
përse vazhdoi t'a mbante edhe pastaj emrin Skënderbej? Sepse "Emri i Skënderit i
kujtonte Aleksandrin e Madh," thotë Fan Noli, "edhe titulli i Beut tregonte shkallën e
gjeneralit në ushtërinë turke, e cila ishte më e mira e asaj kohe. Duke qënë Kastriotët
nga një derë e vogël katundare, Skënderbeu vetë nuk i jipte rëndësi llagapit atëror... i
cili nuk ishte veçse emri i një fshati dhe e mbanin me duzina shokë fshatarakë të
kryetrimit...". Ky shpjegim na duket pak si i lehtë sepse, me sa dimë, Skënderbeut nuk
i pëlqenin madhështitë dhe se ai nuk e pat përbuzur kurrë emrin e familjes. Në letër-
shkëmbimin me princa e mbretër t'asaj kohe, ai nënshkruante latinisht: Georgius
Castriota alias Scanderbeg, ose italisht: Giorgio Castrioto, decto Scanderbego; gjë që
lë të kuptohet se ai ishte i njohur në botë me emrin Skanderbeg.

Prandaj në legjendën e Barletit duhet të ketë diçka të vërtetë. Të tjerë kronikanë të


shekullit XV pohojnë se Gjergji ishte në moshë të re kur vajti peng n'Oborrin e Sulltan
Muratit II. Edhe nëqoftëse nuk ishte nëntë vjeç, siç thotë Barleti, duhet të-jetë dhënë
peng më 1423, kur ishte djalosh tetëmbëdhjetë vjeçar. Nuk përjashtohet as hipoteza që
Gjergji të ketë qënë dërguar në shkollën ushtarake të iç-ogllanëvet, në Edërne, edhe
m'i ri akoma, si shumë djem princash të krishterë n'atë kohë, kur dimë se Gjon
Kastrioti u nënshtrua më 1416 duke e njohur Sulltan Mehmetin I si kryezot dhe e
ruajti të tërë principatën me anën e një politike t'urtë. Për të provuar besnikërinë,
mund të ketë dërguar të birin në shkollën e Edrënesë, dhe djali mund që këthehej herë
pas here pranë familjes, në Shqipëri. Dy datat 1420 dhe 1426, ku përmendet emri i
Gjergjit në një traktat tregëtie lidhur me Republikën e Raguzës dhe në dy dokumentat
e Hilandarit, nuk janë një provë absolute që Skënderbeu, deri atëhere, të jetë ndodhur
vazhdimisht pranë familjes.

Sidoqoftë, kjo periudhë e jetës së kryetrimit mbetet akoma e pa-ndriçuar. Por duket se
më 1438 ndodhej në Shqipëri, mbasi n'atë vit pranohet si qytetar nderi i Venetikut.

Gjatë kohës së kryengritjevet shqiptare ndërmjet vjetëve 1432-1438, Kastriotët nuk


lëvizën. Por oshëtima e atyre kryengritjeve, ngadhënjimet e para, shtypjet mizore të
pastajme, nuk mund të mos i kenë lënë mbresë Skënderbeut. Dhe ndoshta, në shpirt,
priste një rast më të mirë, rrethana më të favorshme, për t'a rrokur ai vetë flamurin e
kryengritjes.

Rasti iu duk se erdhi më 1443. Një nga shtyllat e qëndresës së krishtere kundër
Turqvet ishte bërë Mbretëria e Hungarisë dhe e Polonjës me kryekumandarin e
famshëm, Gjon Huniadin, vojvodën e Transilvanisë. Nuk ishte e para herë që Huniadi
ndeshej me Turqit. Por më 1443, me shtytjen e Papës Eugjen IV, lëvizja mori një
shtrirje më të gjerë. Papa mendoi t'organizonte një kryqëzatë të përgjithshme për t'i
dëbuar Turqit nga Evropa. Përveç Mbretërisë së Hungarisë dhe së Polonjës, peshkopët
katolikë, në Ballkan, u vunë të shtynin princat e krishterë që të ngrihëshin me armë
porsa të lëvizte ushtëria hungareze. N'atë kryqëzatë u ftuan të merrnin pjesë edhe
princat shqiptarë, një ndër ta edhe Skënderbeu. Shqiptarët, gjithmonë të gatishëm për
kryengritje, mezi që e prisnin një rast t'atillë. Araniti filloi të lëvizte, në jugë, kundër
ushtërisë turke. Po ashtu edhe Gjin Zenebishi, i biri i Depes, u ngrit me një pjesë të
krahinavet dhe u lëshua kundër Kosturit. Por aty u ndesh me ushtërinë turke të
kumanduar prej Feriz Pashës, luftoi, u thye edhe u vra.

Skënderbeu, si duket, priti gjersa ushtëria hungareze të hynte në vepërim. Prandaj u


nis me kalorësinë e tij në drejtim të Danubit bashkë me ushtërinë turke, që përbëhej
prej 20.000 vetash, nën kumandën e Kasem Pashës, bejlerbeut të Rumelisë. Të dy
ushtëritë zunë vend kundrejt njëra tjetrës tej e përkëtej lumit Morava. Por më 3 të
Nëntorit 1443, Hungarezët, ndonëse më të pakët në numër, kapërcyen lumin dhe e
sulmuan ushtërinë turke afër Nishit. Kjo filloi të prapsej dhe pastaj të tërhiqej e
shpartalluar. Skënderbeu, i cili duket se lozi një rol në këtë tërheqje, me treqind
kalorës kalorës shqiptarë që kishte me vehte, nër ta edhe i nipi, Hamza, e la ushtërinë
turke edhe u nis për në Shqipëri. Fermanin e rrem nuk dimë a ia mori me të vërtetë
sekretarit të vulës së Sulltanit që shoqëronte bejlerbeun e Rumelisë, siç tregon Barleti,
a po u zogrofis prej ndonjë fallsifikatori, siç mendon Fan Noli sipas kronikanit të
Raguzës, Luccari-t. Fakti është që, në krye të shtatë ditëve, Skënderbeu arriti në
Dibër. Aty gjeti popullin besnik dhe të gatishëm për kryengritje. Mbasi ua shpjegoi
krerëvet planin e tij, mori me vehte nja treqind Dibranë edhe u nis natën në drejtim të
Krujës. Kjo fuqi u fsheh jashtë qytetit, mbasi Skënderbeu kishte nër mend t'a merrte
Krujën me anën e fermanit të rrem. Edhe ashtu u bë. Kumandari i Krujës, Hasan bej
Vërzhezda, e besoi fermanin dhe ia dorëzoi qytetin Skënderbeut. Ky ua tregoi
Krujanëvet planin e tij dhe i porositi që të rrinin gati. Kur u bë natë, njerëzit e fshehur
në pyll hynë brenda në kështjellë, dhe bashkë me Krujanët e armatosur zunë pikat
strategjike të qytetit. Aty nga mesi i natës buçiti fjala "liri! liri!", dhe Shqiptarët u
hodhën mbi garnizonin turk të cilin e çfarosnë. Të nesërmen, në vend të flamurit të
Turqisë, valonte mbi kështjellë flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrenore.

Pasi mori Krujën në këtë mënyrë edhe u kthye në fenë atërore, Skënderbeu u nis për
në Mat e Dibër, që ishin pjesë e principatës së Kastriotëvet, dhe filloi t'organizonte
fuqinë e parë të tij. Ngado që shkonte, populli e priste me krahë hapët dhe tregohej i
gatishëm të vihej nën urdhërat e kryetrimit. Pastaj me një fuqi të mjaftë u kthye në
Krujë, ku kishin ardhur për ta përgëzuar shumë krerë shqiptarë si edhe miq e
dashamirë të lidhur me familjen e tij. Më 28 Nëntor 1443, në mes të një gëzimi të
përgjithshëm, Skënderbeu u shpall kryezot i principatës së Kastriotëvet me qendër
Krujën. Mandej me fuqinë që kishte mbledhur pushtoi njërën pas tjetrës, gjatë muajit
Dhjetor, fortesat e principatës atërore, Petrelën, Gurin e Bardhë, Stellushin, Tornaçin
dhe pak më vonë, pas tre muajsh rrethimi, Sfetigradin. Garnizonet turke që u
dorëzuan, u përzunë në Turqi. Kështu, me një shpejtësi të vetëtimshme, Skënderbeu e
ringjalli principatën e lirë të Kastriotëvet.

1
Hopf, "Chroniques," f. 274. E dimë mendimin e kritikëvet, sipas të cilëvet Gjin Muzaka i ka marrë këto të thëna
prej Barletit. Vepra e Barletit mendohet të jetë botuar ndërmjet vjetëvet 1508-1510, edhe Gjin Muzaka e shkroi
"Gjenealogjinë" më 1510. Por dimë edhe se ky i fundit pat qënë bashkëkohas i Skënderbeut, të cilin e kish
njohur për s'afërmi sepse pat luftuar nën urdhërat e tij, dhe kishte lidhje familjare me Kastriotët. Prandaj nuk na
besohet që Gjin Muzaka të ketë ndjekur symbyllazi Barletin sikur të thënat e këtij të mos pajtohëshin deri diku
me kujtimet e tija, sado të venitura që t'ishin.

VIII
.

Që në fillim të punës, u duk që Skënderbeu ishte tjetër burrë, me zotësi dhe cilësi të
rralla. Jo vetëm që e zgjodhi kohën e kryengritjes kur rrethanat ndërkombëtare ishin të
favorshme, kur ushtëria turke u dërrmua prej Huniadit, i cili vazhdonte përparimet në
Ballkan, po edhe mundi t'a zbatojë planin e tij me një energji dhe shpejtësi të
jashtëzakonshme. Brenda dy muajve e çliroi krejt principatën. Por e dinte se nuk ishte
e largët koha kur do të përpiqej me Turqit: gjer në prendverën e ardhëshme. Prandaj
duhëshin bërë pregatitjet.
Ndryshe nga kapedanët e tjerë shqiptarë që ishin ngritur kundër Turqvet njëri pas
tjetrit, deri atëhere, dhe qenë shtypur njëri pas tjetrit, Skënderbeu sillte dy ide të
mëdha: bashkimin e gjithë forcavet shqiptare në një kumandë të vetëme dhe
organizimin e një ushtërie të përhershme. Pa humbur kohë, iu përvesh punës për
arritjen e këtyre dy qëllimeve.

Pik së pari, thirri në Lesh në një mbledhje me karakter kombëtar krerët më të


përmendur të Shqipërisë, për të bërë bashkimin e fuqivet. Rrethanat ishin të
favorshme: Huniadi kishte zbritur në Bullgari dhe lajmet qarkullonin se një kryqëzatë
e përgjithshme evropiane ishte në pregatitje e sipër. Shqiptarët i kishin akoma të gjalla
plagët e kryengritjevet të mëparshme. Shpejtësia me të cilën Skënderbeu e çliroi
principatën e tij iu dha shpresë edhe krerëve të tjerë se mund t'i rifitonin të drejtat e
humbura. I dha shpresë gjithë popullit se mund t'a thyente zgjedhën e huaj. Si vend të
mbledhjes Skënderbeu zgjodhi Leshin, i cili ishte nën Venetikun, dhe jo Krujën, për të
mos iu prekur sedrën kapedanëvet shqiptarë. Ashtu ndoshta mund t'i vinte mirë edhe
Venetikut.

Mbledhja u mbajt më 1 të Marsit 1444, në kryekishën e Shën-Kollit, në Lesh. Merrnin


pjesë n'atë kuvend: Gjergj Araniti, Theodhor Korona Muzaka, Andrea Thopia me të
nipin Tanush, Nikollë dhe Pal Dukagjini, të gjithë këta kishin qënë udhëheqës të
kryengritjeve të mëparshme. Vinin pastaj Gjergj Stres Balsha, Lek Zaharia, Lek
Dushmani, Pjetër Spani, Stefan Çernojeviçi, sundimtari i Malit të Zi, dhe shumë krerë
të tjerë më të vegjël, nga veriu dhe nga juga.

Skënderbeu iu foli mbi qëllimin e mbledhjes dhe mbi nevojën e bashkimit. Iu tregoi se
rrethanat ndërkombëtare ishin të favorshme dhe se me forcat e të gjithëve mund t'i
bëhej ballë ushtërisë turke. Krerët e tjerë u gjetën të gatishëm për t'u bashkuar në
luftën kundër Turkut, dhe u vendos me një zë formimi i Lidhjes Shqiptare me
Skënderben kryetar. Kjo Lidhje do të kishte edhe një ushtëri të bashkuar me
Skënderben kumandar të përgjithshëm. Të pranishmit iu zotuan këtij se do t'a
ndihmonin me ushtarë, me të holla dhe me ushqime. Gjergj Araniti propozoi që seicili
t'a caktonte aty për aty shumën e përvitshme që do të jepte. Pal Dukagjini kërkoi të
caktohej edhe numri i ushtarëvet që do të dërgonte gjithkush nga krerët, por kjo
çështje u la në pëlqimin e seicilit.

U krijua kështu një fond i përbashkët, i cili, me t'ardhurat e principatës së Skënderbeut


dhe me ato të kriporevet të Shën-Kollit, në veri të Durrësit, edhe me ndihmat që do të
jepnin krerët e tjerë, arrinte në shumën e përgjithshme prej 200.000 dukatash t'arta në
vit. Ushtëria e Lidhjes parashihej t'arrinte në 18.000 veta, gjysma kalorësi dhe gjysma
këmbësori.
Kuvendi i Leshit ka një rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë, sepse ishte e
para herë, që nga Kohë e Mesme e këtej, që krerët shqiptarë bashkohëshin në një
mbledhje me karakter pak a shumë kombëtar dhe zgjidhnin një kryetar e kumandar të
përgjithshëm që s'ishte i huaj por vendas dhe Shqiptar, si ata. Seicili nga krerët mbetej
zot mbi krahinën a krahinat e tij, i qeveriste si të donte, dhe Skënderbeu s'kishte të
drejtë t'i ndërhynte. Lidhja e Leshit ishte si një farë konfederate, ku Skënderbeu ishte
si një i parë ndërmjet të barabartëve, sa për të kumanduar ushtërinë e përbashkët në
luftë. S'mund të mblidhte drejtpërdrejt taksa ose ushtarë nëpër krahinat e zotërve të
tjerë, veçse ç't'i dërgonin ata vetë. Por edhe me kaq, në Kuvendin e Leshit u hodh çapi
i parë drejt lidhjes kombëtare, sepse ishte e para herë që krerët e Shqipërisë zgjidhnin
një kryetar midis tyre dhe vendosnin bashkimin e fuqivet ushtarake dhe të ndihmavet
financiare në shërbim të një qëllimi të përgjithshëm. Skënderbeu, duke përdorur
principatën e tij si bazë dhe me prestigjin e madh që fitoi në luftën kundër Turqvet, i
shtroi nën vehte disa nga krerët e tjerë, ua mori krahinat, dhe u përpoq të formonte një
shtet shqiptar të përqendruar, siç do t'a shohim më poshtë.

I vendosur tani t'i bënte një luftë për jetë a për vdekje ushtërisë më të fortë të kohës,
Skënderbeu nis t'i pregatitet, duke treguar që në fillim disa nga cilësitë e
jashtëzakonshme të kapedanëve të mëdhenj. Ai e dinte se fitimi i betejavet varet
sigurisht edhe nga zotësia e kumandarit, por sidomos nga përbërja dhe forca goditëse
e ushtërisë. Këtu qëndron e fshehta e fitorevet, dhe vetëm me anën e një ushtërie
kompaktësisht t'organizuar kanë mundur të ngadhënjejnë ata që kanë lënë vrraga të
thella në historinë e njerëzisë. Aleksandri i Madh, përveç cilësivet vetiake, ua detyroi
fitoret legjendare falangavet maqedonase, që sulmonin bashkarisht si një maqinë
shtypëse, dhe kalorësisë që goditte si rrufeja. Roma shtroi tërë botën me anën e
legjionevet, që shkonin përpara si një masë dërrmonjëse ose qëndronin në vend si një
mur i patundur. Edhe Turqia e kohës së Skënderbeut epërsinë ushtarake mbi botën e
krishterë ua detyronte trupit të jeniçerëvet dhe kalorësisë së lehtë sulmonjëse.

Skënderbeu, që e njihte mirë ushtërinë turke dhe i kuptonte shkaqet se përse


kryengritjet e mëparshme të Shqiptarëvet kishin dështuar, u vu edhe ai të krijonte
mjetin e mprojtjes, domethënë një ushtëri në kuptimin e vërtetë. Nuk kishte shumë
besim në një ushtëri "federale", domethënë në trupat që do të dërgonin krerët e tjerë
shqiptarë, mbasi ato kumandohëshin prej kapedanëvet të tyre dhe s'mund të kishin as
kompaktësinë as disiplinën e një ushtërie të rregullt. Prandaj nisi pikësëpari
t'organizojë një ushtëri të përhershme, të rekrutuar në principatën e tij. Bëri
regjistrimin e burrave t'aftë për shërbim, duke dalë vetë fshat më fshat, dhe krijoi me
lulen e djalërisë një trupë të zgjedhur që Barleti e quan "garda pretoriane". Kjo
përbëhej prej nja 3.000 vetash, e tërë kalorësi, dhe kumandohej drejtpërdrejt prej
Skënderbeut. Kjo ishte bërthama e çeliktë e ushtërisë shqiptare, gjithnjë në ushtrim,
gjithnjë në lëvizje, dhe sulmet e saja në luftë ishin të rrufeshme, ashtu si shpata e
kryetrimit. Një pjesë tjetër e ushtërisë së përhershme ishin trupat e kufirit, nja tre a
katër mijë veta, që mpronin kështjellat nga ana e lindjes. Këto ishin nën kumandën e
Moisi Golemit, i cili qëndronte në Dibër. Pastaj vinte ushtëria e përkohshme, e
përbërë prej atyre që thirrëshin vetëm në kohë lufte, zakonisht nga një burrë për derë
në principatën e Skënderbeut, dhe prej trupavet që dërgonin krerët e tjerë aliatë. Këta
vinin t'armatosur dhe qëndronin në shërbim përsa kohë që vazhdonte lufta; mandej
këthehëshin nëpër shtëpitë e tyre. Numri i ushtërisë së përkohshme arrinte e shumta në
10.000 veta, një pjesë kalorës por më tepër këmbësorë. Në kohë rreziqesh të mëdha,
me kushtrimin e Skënderbeut delnin të gjithë burrat e aftë. Një pjesë e tyre
organizohëshin në çeta për t'i prerë shtigjet armikut.

Formimit t'ushtërisë dhe pregatitjes s'oficerëvet iu dha aq rëndësi Skënderbeu sa që


merrte pjesë vetë n'ushtrimet e gardës dhe e mbante këtë gjithmonë nën syrin e tij
vëzhgues. E dinte se Shqiptarëve iu mungonte disiplina e një trupe të rregullt:
hidhëshin në luftë me guxim, po edhe shpartallohëshin shpejt kur armiku përdorte
numrin e madh, mjetet e rënda, kohën e gjatë. Prandaj iu vuri një kujdes të veçantë
inkuadrimit dhe disiplinës. Vrejti gjithashtu me hollësi topografinë e vendit duke
shënuar dhe mbajtur në mendje çdo mal e fushë, çdo shpat a luginë, pyje e kodra,
lumenj e përrenj, shtigje e gryka, sepse e dinte që njohja e vendit është kushti i parë i
një plani strategjik dhe i manevrimevet taktike. Ndreqi kështjellat edhe i vuri në
gjendje mprojtjeje. Siguroi armatimin dhe rezervat ushqimore për ushtërinë e
përhershme. Organizoi një rrjetë informacjoni për të marrë vesh lëvizjet dhe përbërjen
e ushtërivet armike. U përpoq të pregatiste moralin e popullit për një qëndresë të gjatë,
heroike, kundër një ushtërie që tmerronte botën, dhe tmerret e së cilës Shqiptarët i
kishin provuar mbi vehten e tyre kushedi sa herë. Pastaj i qetë, i patundur si shkëmbi,
po priste rastin se kur do të përplasej furtuna.

IX
Rasti erdhi më Qërshor të vitit 1444. Një ushtëri turke prej 25.000 vetash, pjesa m'e
madhe kalorësi, nën kumandën e Ali Pashës, hyri në Shqipëri nga anë e Kosovës dhe
zbriti në Dibrën e Poshtme. Sulltan Murati II mendoi se do t'a shtypte edhe këtë herë
kryengritjen shqiptare ashtu si kishte shtypur ato të mëparshmet. Skënderbeu, i
lajmëruar për afrimin e ushtërisë turke, i dolli përpara në fushën e Dibrës me ushtërinë
shqiptare që ai kishte pregatitur brenda disa muajve. Kjo përbëhej prej 15.000 vetash,
pjesa m'e madhe e rekrutuar në principatën e Skënderbeut, dhe vetëm nja 2.000
kalorës qenë dërguar nga krerët e tjerë të Lidhjes. Çasti ishte vendimtar, sepse në këtë
përpjekje të parë vihej në provë qëndresa shqiptare. Oficerët dhe ushtarët,
përgjithësisht të rinj, nuk ishin mësuar deri atëhere të përballonin në fushë të hapët një
armik aq të fortë sa ç'ishte ushtëria turke. Populli dukej m'i shqetësuar akoma.
Fshatarët fusharakë iknin maleve ose futëshin nëpër fortesat. Gra, pleq e fëmijë rrinin
gjithë ditën në kishë duke iu lutur Perëndisë që t'a shpëtonte vendin nga rreziku.
Vetëm Skënderbeu qëndronte i patronditur. I fliste popullit për t'a qetuar, iu fliste
oficerëve dhe ushtarëve për t'iu dhënë zemër dhe për t'i siguruar se do t'a fitonin
betejën.

Mjeshtër n'artin e luftës, Skënderbeu kishte zgjedhur për këtë ndeshje të parë fushën e
ngushtë të Torviollit, rrethuar me male e pyje. Sipas planit të tij, do të fshihte në pyjet
një pjesë të fuqisë, e cila do të sulmonte me befasi kur lufta t'ishte ndezur nga të gjitha
anët. Për t'a tërhequr armikun në këtë kurth, i dolli përpara me pjesën tjetër t'ushtërisë
dhe bëri sikur prapsej, duke manevruar me mjeshtëri. Dy nga oficerët e tij më të zotë
n'artin ushtarak, Kont Urani dhe Aidin Muzaka, e ndihmuan në këtë taktikë: i pari,
duke i qëndruar përballë ushtërisë turke për të penguar përparimin e saj, dhe i dyti
duke rreshtuar në Torvioll grupet e ushtërisë shqiptare që prapsëshin dhe arrinin aty ca
nga ca. Skënderbeu, sa andej këtej, ndihmonte njërin vepërim dhe tjetrin. Ndonëse të
pamësuar me manevra të këtilla, Shqiptarët lëvizën rregullisht, duke zbatuar urdhërat,
dhe puna shkoi mirë, siç ishte parashikuar. Kur u kthye Skënderbeu në Torvioll, e
gjeti ushtërinë të radhitur sipas planit. Kumandën e krahut të djathtë e kishte Tanush
Thopia me Labërit e Aranitit dhe malësorët e Dukagjinit; kumandën e krahut të
mëngjër e kishte Moisi Golemi me Dibranët; në qendër ishte vetë Skënderbeu me
gardën pretoriane, i ndihmuar nga Aidin Muzaka dhe Gjergj Stres Balsha. Një fuqi
prej 3.000 kalorësish, e kumanduar nga Hamzë Kastrioti, Muzaka i Angjelinës,
Zaharia Gropa, Pjetër Emanueli dhe Gjin Muzaka, ishte dërguar të fshihej në një pyll
aty afër, me urdhër që të mos lëvizte gjersa të ndizej beteja në të gjitha anët. Trupin e
rezervës prej 3.000 vetash, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori, e kumandonin
Kont Urani dhe Marin Spani. I pari, me kalorësinë, duhej ta sulmonte armikun
përballë kur Hamzë Kastrioti me shokë t'i kishin rënë befasisht nga krahët. I dyti, me
këmbësorinë, nuk duhej të lëvizte veçse kur ushtëria turke të jepte shënja tronditjeje.
Skënderbeu kishte vënë kudo kalorësinë përpara, mbasi pjesa kryesore e ushtërisë
turke ishte kalorësi dhe beteja do të niste me një përpjekje kuajsh. Por skuadrat ishin
rregulluar në mënyrë që edhe këmbësoria të merrte pjesë në luftim pa qënë e penguar
prej kuajvet.

Kur ushtëria turke arriti në Torvioll, dita ishte më të ngrysur, dhe beteja mbeti për të
nesërmen. Ali Pasha kujtoi ndoshta se e futi Skënderben në një vend të ngushtë, ku
s'kishte se nga t'i shpëtonte. Në mëngjezin e 29 Qërshorit, Shqiptarët e panë se sa e
madhe ishte ushtëria turke, e cila mbushte tërë fushën. Ulurinte dheu nga trumbetat,
daullet dhe bërtimat e saja. Mbasi një pjesë e ushtërisë shqiptare ishte e fshehur, ajo
që ndodhej në fushë të hapët dukej fare e vogël përpara mizërisë anadollake.
Skënderbeu i kishte pregatitur radhët që me të zbardhur të mëngjezit. Por duke
menduar se mos Shqiptarët, të rrëmbyer, hidhëshin në mënyrë të çrregullt dhe
merrëshin nëpër këmbë prej numrit të madh t'armikut, dha urdhër që të mos lëviznin
deri sa Turqit të sulmonin të parët.

Sulmi i tyre nuk vonoi. Me një bërtimë të përgjithshme dhe tmerronjëse, Turqit u
lëshuan kundër ushtërisë shqiptare. N'atë çast, trumbetat e gardës pretoriane dhanë
shënjën e betejës, dhe Skënderbeu, duke iu thirrur Shqiptarëvet me zë të fortë, u vërvit
si luani drejt armikut. E tërë garda, me Aidin Muzakën dhe Gjergj Balshën, e ndoqi
pas si një trup i vetëm. Beteja u mbërthye në të gjitha anët, e rreptë, e tërbuar. Përpiqej
çeliku me çelik, përmbysëshin kuaj e kalorës, dridhej toka nën këmbë. Turqit e
sulmuan me aq forcë qendrën shqiptare sa që kjo do t'ishte thyer sikur të mos ndodhej
aty vetë Skënderbeu. Por krahu i djathtë që kumandonte Tanush Thopia, e pa më
ngushtë akoma. Shumë kapedanë nga më të mirët ishin vrarë, nër ta edhe Anton
Linjërosa, kumandari i Labërvet dhe i Himariotëvet. Tanushi po bënte qëndresën e
fundit, kur u vërsul nga pylli kalorësia e Hamzë Kastriotit me shokë dhe i ra armikut
nga krahët, ndërsa Kont Urani me rezervën e goditi përballë. Nga kjo befasi e
rrufeshme që e vuri midis dy zjarresh, krahu i mëngjër i ushtërisë turke u thye shpejt.
Në të njëjtën kohë, Moisi Golemi me Dibranët bëri një sulm të rreptë dhe e shpartalloi
krahun e djathtë t'armikut. Qendra turke, ku ndodhej vetë Ali Pasha me pjesën më të
fortë t'ushtërisë, po mbahej akoma. Por Skënderbeu, kur pau se të dy krahët e
ushtërisë së tij ishin në fitim, u hodh në mes t'armiqvet si një shigjetë, thotë Biemmi1,
duke thyer radhët e tyre dhe duke përmbysur me shpatë ç'gjente përpara. Gardës
pretoriane që luftonte rreth kryetrimit i erdhën shpejt në ndihmë Kont Urani dhe
Marin Spani me rezervën, dhe me një goditje të fundit qendra turke u dërrmua
plotësisht. Ali Pasha iku nga sytë këmbët me mbeturitë e ushtërisë së tij duke lënë
7.000 të vrarë në fushën e betejës, 500 robër dhe 24 flamure në duart e Shqiptarëvet. I
tërë kampi i ushtërisë turke, me plaçkat, ushqimet dhe mijëra kuaj, mbeti aty. Nga
Shqiptarët pati 1800 të vrarë dhe 2.000 të plagosur, prej të cilëve nja 400 vdiqën
pastaj. Nër të plagosurit rëndë ishte edhe Aidin Muzaka, një prej oficerëvet më të
shquar, i cili vdiq në Dhjetor t'atij viti dhe u vajtua nga e tërë ushtëria.

Beteja e Torviollit është një kryevepër strategjike dhe taktike, në të cilën Skënderbeu
tregoi zotësitë e rralla të kapedanëve të mëdhenj. Kjo fitore iu bëri shumë përshtypje
Shqiptarëvet dhe i mbushi me lavdi. Këta e kuptuan atë ditë se çfarë rëndësie kanë
bashkimi, plani dhe disiplina në fitimin e një lufte dhe se çfarë luani ishte
kryekumandari i tyre. E panë me sy kur vërvitej i pari me shpatë në dorë në mes
t'armiqvet dhe njëkohësisht drejtonte tërë betejën, si Aleksandri i Madh. Prova e parë
u bë. Me një burrë të këtillë në krye, Shqipëria mund t'i qëndronte furtunës turke;
mund të bëhej mburoja e Evropës dhe e Krishterimit, siç u bë për njëzetepesë vjet
rresht.

Pas këtij ngadhënjimi, Skënderbeu u kthye në Krujë në mes të një gëzimi të


papërshkruarshëm. Populli delte rrugës për t'a parë me sy, për t'a përshëndetur, për t'i
çfaqur adhurimin. Kur arriti në Krujë, gjeti aty shumë miq dhe krerë aliatë që kishin
ardhur ta përgëzonin.

Përveç në Shqipëri brenda, ku forcoi pozitën e Skënderbeut, fitorja e Torviollit bëri


bujë të madhe n'Evropë. Papa Eugjeni IV mori zemër për të pregatitur një kryqëzatë të
re kundër Turqvet. Oborrët e Perëndimit filluan të shikojnë tani edhe nga Shqipëria.
Hungarezët u vunë përsëri në lëvizje. Një lidhje e gjerë u formua, në të cilën Papa dhe
mbreti Vladisllav i bënë thirrje edhe Skënderbeut.

Sulltan Murati II, i tronditur nga këto pregatitje, iu kërkoi paqe Hungarezëvet.
Vladisllavi, mbreti i Polonjës dhe i Hungarisë, pranoi, dhe një paqe prej dhjetë vjetësh
u nënshkrua në Szeged, më 12 Korrik 1444. Në bazë të këtij traktati, Murati II e linte
të qetë Hungarinë dhe ia këthente Serbinë Gjergj Brankoviçit, i cili u bë vasal i tij. Pas
kësaj paqeje, Sulltan Murati ia lëshoi fronin të birit, Mehmetit II, dhe ai vetë shkoi
n'Anadoll për t'a ngrysur jetën në qetësi.

Por paqja prej dhjetë vjetësh nuk mbajti as gjashtë javë. Papa Eugjeni IV, me anën e
Kardinal Julianit, e bindi mbretin Vladisllav t'a shkelte traktatin dhe, duke përfituar
nga abdikimi i Muratit II, të vihej në krye t'ushtërivet të krishtere për t'i përzënë Turqit
nga Ballkani. Filluan thirrjet dhe premtimet për kryqëzatën. Vladisllavi mblodhi një
ushtëri prej 14.000 Hungarezësh, Polakësh e Rumunësh, nën kumandën e tij dhe të
Gjon Huniadit, zbriti në Bullgari dhe e nguli kampin afër qytetit Varna. Pritej të
lëviznin fuqi të tjera të cilat mbetën premtime të thata, si zakonisht. Ndërkaq, Sulltan
Murati II, me të marrë vesh që Hungarezët e shkelën paqen, u kthye përsëri në fron,
mblodhi me të shpejtë n'Anadoll një ushtëri prej 40.000 vetash, e kaloi Bosforin me
anije Gjenovezësh duke paguar nga një dukatë për kokë, dhe u ndodh papritur përpara
ushtërisë së krishtere në fushën e Varnës. Në betejën e përgjakshme që u bë më 10
Nëntor 1444, Vladisllavi u vra dhe ushtëria e tij u thye keq duke lënë 10.000 të vdekur
në fushë. Gjon Huniadi me një pakicë mezi shpëtoi dhe mundi të kapërcejë Danubin.
Disfata e Varnës qe një humbje e madhe për Krishterimin dhe provoi se ky s'ishte në
gjendje t'organizonte një qëndresë të përgjithshme kundër Turqvet. Shpresat e popujve
ballkanikë filluan të bjenë. Sulltan Murati II, i liruar nga pesha e Hungarezëvet,
mbetej ballë për ballë me kryengritjen shqiptare.

Po edhe në Shqipëri brenda nisën grindjet si nga herë, për të mbjellë farën e përçarjes
në Lidhjen Shqiptare të Leshit. Në vitin 1445, Mamica, motra m'e vogël e
Skënderbeut, u martua me Muzakë Thopinë. Në dasmë e sipër, ku ishin ftuar shumë
krerë dhe kapedanë shqiptarë, ngjau një zihje midis Lek Dukagjinit dhe Lek Zaharisë.
Shkak u bë Irena, bija e vetëme e Gjergj Dushmanit, kryezotit të Zadrimës, e cila me
bukurinë e jashtëzakonshme të saj ua mori mendjen dy rivalëvet që e kërkonin për
martesë. Mbasi zemra e Irenës anonte nga Lek Zaharia, një luftë e vërtetë u ndez
ndërmjet këtij dhe Lek Dukagjinit. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë dhe i turpëruar
përpara Irenës. Pas ca kohe, Skënderbeu i thirri të dy dhe i pajtoi. Por pajtimi i Lek
Dukagjinit nuk qe i sinqertë. Sepse pas dy vjetësh ky e vrau me të pabesë Lek
Zaharinë, kryezotin e Danjës. Nga kjo vrasje rrodhi lufta ndërmjet Skënderbeut dhe
Republikës së Venetikut, siç do t'a shohim më poshtë.

Po edhe lufta kundër Turqvet vazhdoi e paprerë. I shqetësuar nga pregatitjet e reja që
bënte Huniadi, Sulltan Murati II provoi t'a ndreqte me të mirë me Skënderben duke i
propozuar këtij paqen me kushtet që kishte pranuar i ati, Gjon Kastrioti, më 1430. Me
fjalë të tjera, Skënderbeu duhej t'i nënshtrohej Sulltanit, t'i lëshonte një pjesë të
principatës dhe të mbetej si vasal i atij në krahinat e Krujës dhe të Matit. Porsa që
Skënderbeu e hodhi poshtë këtë propozim me një përgjigje krenare, Sulltani nisi për
në Shqipëri Firuz Pashën me 9.000 kalorës, i cili hyri nga anë e Ohrit. Skënderbeu e
tërhoqi ushtërinë turke në një pyll të Mokrenës, afër Dibrës së Sipërme, dhe e
shpartalloi më 10 të Tetorit 1445. Kjo fitore bëri bujë dhe ngjalli shpresa të reja
n'Evropë pas disfatës që pësoi ushtëria hungareze në Varna. Skënderbeu zu të
shikohej si shtylla e Krishterimit. Papa Eugjen IV dhe mbreti Alfons V i Napolit
dërguan ambasada të veçanta për t'i çfaqur përgëzimet dhe për të lidhur miqësinë me
të.

Më 1446, një tjetër ushtëri turke prej 15.000 kalorësish, nën kumandën e Mustafa
Pashës, u nis nga Shkupi dhe arriti në fushën e Otonetës, në Dibrën e Sipërme.
Skënderbeu e sulmoi befas, më 27 të Shtatorit, dhe e shkatërroi.

1
Biemmi tregohet sikur i merr këto përshkrime nga Tivarasi por, sipas kritikës së sotshme, ky emër i fundit është
një trillim i Biemmi-t sepse nuk besohet që të ketë pasur një anonim t'atillë

X
Fitoret e Shqiptarëvet gjatë tre vjetëve kundër ushtërisë më të fortë t'asaj kohe dhe
forcimi i pozitës së Skënderbeut zgjuan shqetësimin e Republikës së Venetikut, e cila
sundonte një varg qytetesh bregdetare të Shqipërisë. Në fillim, Venetiku e pat shikuar
me sy të mirë kryengritjen shqiptare dhe lejoi, më 1444, që Kuvendi i krerëvet
shqiptarë të mbahej në Lesh, ku dërgoi edhe Republika disa këqyrës për të parë se
ç'bëhej. Skënderbeu, nga ana e tij, i shtrënguar prej nevojës dhe duke ndjekur
politikën e familjes, desh të qëndronte në marrëdhënie sa më të mira me Republikën.
Ai bashkë me të vëllanë, Stanishin (i cili duket se ishte gjallë akoma), u njohën prej
Venetikut si qytetarë nderi më 1445. Por ky "qiell miqësie" zuri të vrënjtej shpejt.
Venetiku mendonte t'i përdorte Shqiptarët dhe Skënderben sa për t'ia hedhur Sulltanit
si ferra nëpër këmbë, dhe jo që këta të formonin një shtet të fuqishëm, i cili mund të
vinte në rrezik zotërimet e Republikës. Prandaj filloi t'i trembej rritjes së fuqisë së
Skënderbeut, principata e të cilit kufizohej me qytetet që sundonte Venetiku. Kur pa
se Skënderbeu, ngadhënjyës mbi ushtërinë më famëmadhe t'asaj kohe, po mundohej të
formonte një shtet shqiptar të fortë dhe se Lidhja e Leshit qëndronte e bashkuar,
Republika nisi intrigat e përçarjes dhe marrëveshjet e fshehta me Turqit kundër
Skënderbeut.

Shkak lufte ndërmjet Shqipërisë dhe Ventikut u bë qyteti i Danjës. Duket se Lek
Dukagjini e vrau Lek Zaharinë, kryezotin e Danjës, aty nga vjeshta e vitit 1447. Mbasi
Lek Zaharia nuk linte trashëgimtar, qyteti i Danjës duhej të përfshihej në principatën e
Skënderbeut, i cili ishte kryetari i Lidhjes Shqiptare. Për këtë qëllim, ky dërgoi pranë
Borës, nënës së Lek Zaharisë, Kont Uranin që ta rregullonte punën. Por Venetikasit e
pushtuan Danjën përpara se t'a merrte Skënderbeu, dhe Zonjën Bora e çuan në
Shkodër, ku me intriga ia mbushën mendjen që t'ia falte qytetin Republikës. Një nga
çpifjet e Venetikasvet ishte se gjoja Skënderbeu kishte pasur gisht në vrasjen e Lek
Zaharisë për të trashëguar Danjën.

I vënë përpara kësaj gjendjeje, Skënderbeu thirri menjëherë mbledhjen e Lidhjes


Shqiptare për të marrë një vendim lufte kundër Venetikut. U detyrua gjithashtu të
shpallte botërisht se ai s'kishte pasur asnjë dijeni në vrasjen e Lek Zaharisë dhe se
çpifjet e Venetikasvet kishin për qëllim të cënonin nderin e tij dhe të përçanin Lidhjen
Shqiptare. Në mbledhjen e Lidhjes, shumica e antarëvet e pranoi propozimin e
Skënderbeut, që t'i shpallej luftë Venetikut nëqoftëse ai nuk do t'a lëshonte Danjën me
të mirë. U treguan kundër këtij vendimi vetëm dy kapedanë, Pjetër Spani i Shalës e i
Shoshit dhe Gjergj Dushmani i Zadrimës, të cilët u ndanë nga Lidhja Shqiptare dhe
muarën anën e Venetikut.

Mbasi Republika nuk e lëshoi Danjën, e cila kishte shumë rëndësi për të sepse
sundonte hyrjen e daljen e luginës së Drinit dhe rrugën e Shkodrës, Skënderbeu filloi
menjëherë vepërimet ushtarake kundër zotërimeve të saj. Disa nga antarët e Lidhjes, si
Gjergj Araniti, Theodhor Korona Muzaka, Andrea Thopia, e të tjerë, e ndihmuan me
ushtëri, e cila arriti në 14.000 veta, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori. Me këtë
fuqi Skënderbeu bariti kundër Danjës dhe njëkohësisht rrethoi Durrësin, në Dhjetor të
vitit 1447. Nisi gjithashtu të bënte presion mbi qytetet e tjera të Republikës në tërë
bregdetin shqiptar. Por mbasi nuk kishte artileri të rëndë, dhe këto qytete mprohëshin
prej kështjellash, nuk i mori dot, prandaj e shtrëngoi rrethimin e Danjës duke pritur që
kjo t'i dorëzohej nga uria.

Për t'i dalë në krye luftës me Venetikun, Skënderbeu nuk mungoi të shfrytëzonte edhe
gjendjen ndërkombëtare. Republika n'atë kohë luftonte edhe në Lombardi kundër
Dukës së Milanos, i cili ishte aliat i Alfonsit V të Napolit. Me ndërmjetësimin e këtij,
u bë një marrëveshje në mes të Skënderbeut dhe Gjergj Brankoviçit, despotit të
Serbisë, për të sulmuar njëheresh zotërimet e Republikës gjatë bregdetit t'Adriatikut.
Rrethimi i Danjës vazhdoi gjithë dimrin dhe prendverën e vitit 1448. Venetiku, i zënë
në luftë edhe në Lombardi, i hapi shpeshëherë bisedime paqeje Skënderbeut, por
Danjën nuk desh t'a lëshonte n'asnjë mënyrë. Nga ana tjetër, bënte marrëveshje të
fshehta me Turqit për t'a vënë ushtërinë shqiptare midis dy zjarresh. U mundua
gjithashtu ta këthente despotin e Serbisë, Gjergj Brankoviçin, kundër Skënderbeut.
Sjelljet e dobëta të Republikës zbritën në shkallën më t'ulët kur ajo i premtoi, më 4
mars 1448, një pension prej 100 dukatash në vit atij njeriu që do të vriste Skënderben.
Deri këtu kishin ardhur punët.

Për të ruajtur kufijtë nga ana e lindjes, Skënderbeu kishte lënë Kont Uranin me një
fuqi prej 4.000 vetash. Ai e lajmëroi se Turqit po lëviznin. Ishte Venetiku që i ftonte
për t'i rënë Skënderbeut pas krahëve, ndërsa ky ndodhej i zënë me rrethimin e Danjës.
Por kryetrimi shqiptar nuk ishte nga ata që e humbasin mendjen përpara situatash të
këtilla. Vendosi pra t'i qëronte llogaritë me Republikën më parë se t'arrinte ushtëria
turke. La 4.000 veta për të mbajtur rrethimin e Danjës, dhe me pjesën tjetër t'ushtërisë
u nis kundër Shkodrës. Një fuqi venetikase prej 15.000 vetash, nën kumandën e
Daniel Juriçit, i dolli përpara. Skënderbeu e sulmoi më 23 korrik 1448. Këtu u provua
se fati i mirë i luftës e ndihmonte kudo, dhe jo vetëm kundër Turqvet. Pas një beteje
t'ashpër, megjithëse m'e madhe në numër, ushtëria venetikase u thye plotësisht, duke
lënë nja 2.500 të vrarë dhe 1.000 robër. Skënderbeu e ndoqi me atë vrull deri përpara
murevet të Shkodrës. Kjo fitore e shkëlqyer e lartësoi më shumë akoma emrin e tij dhe
të Shqiptarëvet. Përforcoi gjithashtu pozitën e brendëshme të kryetrimit. Dukagjinët
kërkuan të pajtohëshin me të.

Por Danja nuk u dorëzua as këtë herë. Skënderbeu nuk pati kohë t'a shfrytëzonte
fitoren kundër Venetikut, sepse ushtëria turke prej 15.000 vetash, nën kumandën e
Mustafa Pashës, hyri nga ana e Ohrit dhe arriti në Dibër. Prandaj, për të vazhduar
rrethimin e Danjës, la të nipin, Hamzën, me një fuqi prej 4.000, dhe ai vetë me pjesën
tjetër t'ushtërisë u nis kundër Turqvet. Me një shpejtësi të çuditshme, i dolli përpara
Mustafa Pashës n'Oranik të Dibrës së Sipërme, i dha betejë edhe e dërrmoi, më 14
Gusht 1448. Ushtëria turke pati humbje të mëdha, rreth 5.000 të vrarë, dhe i tërë
kampi i saj mbeti në duart e Shqiptarëvet. Mustafa Pashën vetë me 12 oficera të lartë
dhe një numër ushtarësh e zuri rob të nesërmen Moisi Golemi, në fushën e Rethes,
pranë Oranikut.

Pas shkatërrimit t'ushtërisë turke dhe pas disfatës që pësoi ajo vetë, shpresat e
Republikës për t'a mposhtur Skënderben me anën e forcës u venitën. Ky nisi ta
shtrëngojë më shumë akoma rrethimin e Danjës dhe të Durrësit. Kështjellat e këtyre
dy qyteteve zunë të tronditen dhe ndoshta do të kishin rënë sikur rrethimi të vazhdonte
edhe ca kohë. Atëhere Republika, e trembur, i kërkoi paqe Skënderbeut. Po edhe ky,
nga anë e tij, donte t'i jepte fund sa më shpejt kësaj lufte për t'i vajtur në ndihmë Gjon
Huniadit, i cili, me një ushtëri hungareze, po zbriste në drejtim të Kosovës.
Delegatët e Venetikut, Pal Loredani dhe Andrea Venieri, erdhën në kampin ushtarak
të Skënderbeut, afër Leshit, dhe paqja u nënshkrua më 4 Tetor 1448. Lidhjen
Shqiptare e përfaqësonin Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, të ndihmuar nga
peshkop Andrea i Leshit dhe nga abati Gjergj Pelini. Sipas traktatit të paqes Danja i
mbetej Venetikut, por ky i lidhte Skënderbeut një pension prej 1.400 dukatash në vit,
iu njihte atij edhe Aranitit disa të drejta në skelën e Durrësit duke i përjashtuar nga
taksa e kripës, dhe iu siguronte atij dhe gjithë krerëvet Shqiptarë të drejtën e strehimit
në tokat e Republikës në rast se vendi i tyre do të pushtohej prej Turqvet. Për dëmet
që kish pësuar nga ushtëria shqiptare, Venetiku nuk kërkoi asnjë shpërblim.

Kështu mori fund kjo luftë e nxehtë ndërmjet Skënderbeut dhe Republikës së
Venetikut. Por një farë lufte të ftohtë, me anë sabotimesh dhe intrigash të brendëshme,
Republika ia bëri gjithnjë; dhe, në tre-katër raste, desh erdhi përsëri në një përleshje
ushtarake me Skënderben, i cili, kur ngushtohej shumë, i tregonte dhëmbët e luanit.
Vetëm më 1463, kur Venetiku u gjend në prakun e luftës me Turqinë, kërkoi afrimin e
Skënderbeut me të cilin bëri një aliancë ushtarake, siç do t'a shohim më poshtë. Po as
atëhere Republika nuk i mbajti premtimet, dhe e tërë furtuna turke u përplas mbi
Shqipërinë.

Në Tetor të vitit 1448, kur nënshkruhej paqja ndërmjet Shqipërisë dhe Venetikut,
Gjon Huniadi po zbriste në Kosovë duke pritur edhe ndihmën e Skënderbeut, sipas
marrëveshjes që kishte me këtë. Por ky nuk vajti dot me kohë, jo vetëm se u pengua
nga krerët e Lidhjes dhe nga përfundimi i paqes me Venetikun, po edhe sepse despoti
i Serbisë, Gjergj Brankoviçi, vasali i Sulltan Muratit II, të cilit i kishte dhënë të bijën
për grua, ia preu rrugën ushtërisë shqiptare. Kjo u vu të kalonte me forcë, por Huniadi
u dërrmua prej Turqvet më 18 e 19 të Tetorit, afër Prishtinës, përpara se t'i arrinte
ndihma e Shqiptarvet. Mbeturitë e shpartalluara të ushtërisë hungareze mezi mundën
të tërhiqeshin nëpër Serbi dhe nëpër Shqipëri, t'urët, të xhveshur e si mos më keq.
Skënderbeu, për të dënuar qëndrimin e Brankoviçit, i dha një grusht të mirë Serbisë
duke e shkelur nën thundra dhe duke shkretuar një pjesë të tokavet të saja.

Dërrmimi i dytë i Huniadit në Kosovë, pas dërrmimit të parë që pësoi në Varna, ia


largonte Sulltanit peshën hungareze dhe ia linte duartë të lira kundrejt Shqipërisë dhe
Skënderbeut.
XI
Në prendverën e vitit 1449, Sulltan Murati II, me një ushtëri prej 80.000, u nis kundër
Shqipërisë. Skënderbeu mori të gjitha masat e mprojtjes, forcoi kështjellat dhe
vendosi në to garnizone. Pastaj me një ushtëri prej 12.000 vetash zbriti në Dibër,
sepse pas shënjavet dukej që Sulltani do të rrethonte më parë Sfetigradin, i cili ishte
kyçi i Shqipërisë nga ana e lindjes. Në këtë fortesë kishte një garnizon prej 2.000
ushtarësh, nën kumandën e Pjetër Prelatit. Skënderbeu iu dha zemër mprojtësvet,
shikoi fortifikimet dhe mbeti i kënaqur nga pregatitjet.

Ushtëria turke arriti përpara Sfetigradit në fillim të Majit dhe nisi t'a rrihte fortesën me
topa të rëndë. Topi dhe armët e zjarrit u përdorën prej Turqve për herën e parë në
Shqipëri, në rrethimin e Sfetigradit dhe të Krujës. Pasi u ça një pjesë e murevet, Turqit
bënë sulme të përgjithshme kundër fortesës, por u prapsën me humbje të mëdha.
Skënderbeu, që përjashta, s'e linte kurrë të qetë ushtërinë armike, por e godiste me
befasi, kur ditën kur natën, dhe tërhiqte në pusi pjesë të saj që i copëtonte. Për të
ruajtur krahët nga Skënderbeu, Sulltan Murati II dërgoi kundër atij Firuz Pashën me
18.000 kalorës. Në ndeshjen që pati me ushtërinë shqiptare, Firuz Pasha, m'i zoti nga
të tjerët, dolli përpara dhe e ftoi Skënderben në një dyluftim. Ky nuk vonoi t'ia
plotësonte dëshirën megjithëse rrethi i tij u përpoq ta ndalonte. U lëshua mbi Firuzin
si drangua dhe me një të sjellme shpate e rrëzoi të vdekur përdhe. Ushtëria turke
atëhere, e mbetur pa kumandar, u thye duke lënë në fushë përmbi 3.000 të vrarë. Një
tjetër sulm të përgjithshëm që urdhëroi Murati II kundër fortesës i kushtoi 7.000 të
vrarë dhe shumë të plagosur. U duk që Sfetigradi nuk mund të merrej me anën e
forcës. Por Turqit zbuluan të vetëmen qyngje që sillte ujin në qytet edhe e prenë. I
mbetur pa ujë, Sfetigradi u shtrëngua të dorëzohej me kusht që mprojtësit e tij të
liheshin të lirë për t'ikur me armët e me plaçkat e tyre. Pasi ndreqi muret e fortesës
dhe la në të një garnizon të shëndoshë jeniçerësh, Murati II, i lodhur dhe i dëshpëruar
për humbjet e mëdha, e ngriti kampin aty nga mbarimi i Gushtit dhe u kthye
n'Adrianopojë. Nuk guxoi këtë radhë të shtyhej në drejtim të Krujës.

Megjithëse tërheqja e Muratit II u shikua si një fitore e Shqiptarëvet, humbja e


Sfetigradit, që ishte fortesa kyç në kufirin lindor të Shqipërisë, u ndie si një plagë e
rëndë. Prandaj Skënderbeu provoi, po në Shtator t'atij viti, t'a merrte përsëri fortesën
dhe e rrethoi. Mirëpo, duke mos pasur artileri të mjaftë, nuk mundi. Shirat e vjeshtës e
bënin rrethimin më të vështirë akoma, aq sa u detyrua ta ngrerë mbasi la nja 2.000 të
vrarë nga ushtëria e tij.

Disa muaj më vonë, në fillim të vitit 1450, Skënderbeut i dolli nga dora edhe Berati të
cilin Theodhor Korona, që s'kishte trashëgimtar, ia linte me testament. Nga ana e
Skënderbeut, shkoi Pal Maneshi me 800 ushtarë për t'a marrë në dorëzim qytetin. Por
Pashaj turk i Gjirokastrës dërgoi me nxitim një ushtëri të madhe, e cila hyri trathëtisht
natën në Berat edhe e pushtoi fortesën. Theodhor Koronën, që ishte duke vdekur, e
ngritën Turqit nga shtrati dhe e varën. Pal Maneshin e zunë rob dhe e lëshuan pasi
Skënderbeu pagoi për të 500 dukata si shpërblim.

Viti 1450 ka qënë një nga më të vështirët për Skënderben dhe për Shqipërinë. Humbja
e Sfetigradit dhe e Beratit, nga njëra anë, përgatitjet e mëdha që po bënte Sulltan
Murati II për t'i dhënë grushtin e fundit qëndresës shqiptare, nga ana tjetër, shkaktuan
një panik të përgjithshëm. Morali në popull filloi të tronditej. Njerëzisë i kishte hyrë
tmerri në zemër dhe shihte fantazma me sy hapët. Për fat të keq, e shumta e
kapedanëvet të Lidhjes Shqiptare e lanë Skënderben vetëm në këtë provë. Araniti, i
zemëruar që ky po e shtynte martesën me të bijën, nuk desh t'i dërgonte ndihmë. Disa
nga krerët e tjerë i punonte intriga e Venetikut për t'i shkëputur prej Skënderbeut. Por
ky, si në çdo tjetër rast kritik ashtu edhe këtë herë, u tregua në një lartësi olympiane.
Krahas me përgatitjet ushtarake, iu desh të ngrinte edhe moralin e popullit, me
mbledhje e fjalime, dhe t'i forconte besimin në fitoren e sigurtë.

Në prendverën e vitit 1450, Sulltan Murati II, pasi mblodhi të gjitha ushtëritë e Azisë
edhe t'Evropës, siç thotë kronikani bizantin, Laoniku, u nis në drejtim të Shqipërisë
bashkë me të birin, Mehmetin II. Ushtëria turke, e përbërë prej më shumë se 100.000
vetash, hyri nga ana e Ohrit dhe, duke ndjekur luginën e Shkumbinit, arriti përpara
Krujës më 14 të Majit. Ishte ushtëria m'e madhe edhe m'e tmerrshme që kishte parë
bota n'atë kohë. Përveç armatimit të zakontë, sillte me vehte edhe metalin e duhur për
të derdhur topa të rëndë, dy prej të cilëve hidhnin gjyle të gurta prej 400 librash (nja
200 kilogramësh) aq sa dridhej toka rreth e rrotull.

Skënderbeu kishte lënë në Krujë një garnizon prej 4.000 vetash, nën kumandën e Kont
Uranit, me nja 30 topa të vegjël që përdorëshin prej artilierësh frëngj dhe me rezerva
ushqimore për një kohë të gjatë. Ai vetë me pjesën më të madhe t'ushtërisë, rreth
8.000 vetash, shumica kalorës, zgjodhi si bazë malin e Tumenishtit, në veri të Krujës,
i cili sot quhet mali i Skënderbeut. Mbasi grumbulli i madh i ushtërisë turke e kishte
ngulur kampin në fushën e Tiranës dhe nisi nga plaçkitjet rreth e qark, popullsia e
fshatravet të Shqipërisë së Mesme u tërhoq malevet ose u mbyll nëpër fortesat. Gra,
pleq e fëmijë zbritën në qytetet e Venetikut anës detit.

Si pas zakonit, Sulltani i kërkoi Kont Uranit dorëzimin e fortesës pa luftë. Pas
përgjigjes krenare që mori nga ky dhe pasi u derdhën topat e rëndë, dha urdhër që të
rrihej fortesa me tërbim. Një pjesë e murevet u shkallmua si edhe porta e kështjellës.
Atëhere filluan sulmet e përgjithshme, si tallazet e detit që përpiqen kundër shkëmbit.
Por mprojtësit e Krujës i prapsën këto sulme të jeniçerëvet me humbje të mëdha. Ishte
e para herë ndoshta që ushtëria e Osmanllinjvet ndeshte në një qëndresë të këtillë.
Skënderbeu, që përjashta, s'i linte të qeta hordhitë turke as ditë as natë. Herë i
sulmonte nga njëra anë dhe herë nga tjetra, gjithmonë atje ku s'e prisnin. Herë tërhiqte
reparte turke në pusi, herë iu priste prapavijat dhe iu rrëmbente nozullimet. Goditjet e
tij ishin të shpejta, të papritura, të rrufeshme. Nganjëherë iu bënte shënja me zjarr
mprojtësve të Krujës për një dalje heroike kundër rrethonjësvet ndërsa ai vetë i
mësynte nga krahët si rrebesh. Të gjitha sulmet që urdhëroi Sulltani kundër Krujës u
prapsën me shumë humbje. Në një përpjekje të tmerrshme që bënë Turqit më 25 të
Qërshorit, patën 8.000 të vrarë. Më në fund nisi t'iu mungonte edhe ushqimi, mbasi
karvanët që ua sillnin binin përgjithësisht në duart e Shqiptarëvet. Por në këtë mes u
ndodhën tregëtarët e Venetikut, të cilët gjetën rastin të fitonin duke i shitur ushqime
ushtërisë turke. Kjo desh shkaktoi një përleshje të dytë me Republikën, sepse
Shqiptarët, kudo që i zinin këta tregëtarë të saj, ua merrnin mallin dhe në një rast
patën vrarë dy prej tyre.

Lufta e përgjaktë rreth murevet të Krujës vazhdoi gjithë verën dhe Turqit humbën
përmbi 20.000 të vrarë. Sulltanit nuk i mbet asnjë shpresë për t'a marrë qytetin me
anën e forcës. U përpoq edhe një herë t'a blinte Kont Uranin me të holla, i hapi
bisedime paqeje Skënderbeut që ky t'a njihte Sulltanin për kryezot duke i paguar një
haraç të vogël, por të gjitha këto i shkuan kot. Duke prashikuar se me shirat e vjeshtës
dhe me afrimin e dimrit gjendja e ushtërisë së tij do të keqësohej, Sulltan Murati II e
ngriti rrethimin e Krujës më 26 të Tetorit 1450 dhe, i ndjekur prej Skënderbeut gjer
përtej kufijvet, u kthye i mundur e i trishtuar n'Adrianopojë ku vdiq pas disa muajsh.

Kjo ishte fitorja m'e shkëlqyer që Skënderbeu me ushtërinë shqiptare kishte korrur
deri atëhere. Sulltan Murati II që kish njohur gjatë tridhjetë vjetëve ngadhënjime pas
ngadhënjimesh, që dërrmoi Gjon Huniadin në Varna dhe në Kosovë, iku i mundur dhe
i turpëruar përpara forcës shqiptare të kumanduar prej Skënderbeut. Lajmi u përhap si
vetëtima anë e mb'anë Evropës dhe ngjalli kudo gëzim e shpresa të reja. Skënderbeu u
kthye në Krujë në kulmin e triumfit e të lavdisë, i brohoritur e i nderuar si heronjt e
vjetërsisë klasike. Pozita e tij këtë radhë u forcua më tepër se kurrë jo vetëm në
Shqipëri brenda, po edhe n'Evropë ku zu të shikohej si mprojtësi i Krishterimit dhe si
gjenerali m'i madh i kohës. Papa Nikolla V, Alfonsi V i Napolit, Duka i Burgonjës,
Mbreti i Hungarisë, Republika e Raguzës i dërguan ambasadorë për ta përgëzuar. Nga
të gjitha vendet e Evropës nisën të vinin vullnetarë për të shërbyer nën urdhërat e
burrit famëmadh.

Populli shqiptar njohu në Skënderben kryekumandarin e shquar, kryetrimin e pashoq,


prijësin e vërtetë të tij. Gjergj Araniti u afrua dhe i dërgoi përsëri ndërmjetës për
martesën me të bijën, Donikën, duke i premtuar një pajë më të madhe. Skënderbeu
këtë herë s'kishte sesi t'a shtynte për më tutje, dhe martesa u bë më 26 të Prillit 1451.
XII
Le të shohim pak tani se cila ishte politika e brendëshme dhe politika e jashtëme e
Skënderbeut dhe përse dallohet ky nga princat e tjerë që pat pasur Shqipëria. E para,
sepse asnjë Shqiptar tjetër deri atëhere nuk pat korrur fitore ushtarake aq të mëdha e
për një kohë aq të gjatë. E dyta, sepse nëpërmjet të luftës kundër Turkut Skënderbeu u
përpoq të ndërtonte një shtet shqiptar të njësuar e të pavarur, domethënë të bënte
bashkimin politik të Shqipërisë. Që në muajt e parë të kryengritjes së tij, ai mendoi e
thirri të gjithë krerët shqiptarë në Kuvendin e Leshit, ku u formua e para lidhje
shqiptare, me karakter pak a shumë kombëtar, që njeh historia. Por kjo lidhje nuk
ishte veçse një lloj konfederate e çlirët, prej së cilës antarët mund të largohëshin kur të
donin, ashtu siç ngjau më pastaj. Venetiku nga njëra anë, Turqia nga tjetra, i punonin
me intrigat e tyre krerët shqiptarë për t'i shkëputur nga Lidhja e Leshit. Në kohën e
rrezikut më të keq, në rrethimin e parë të Krujës prej Muratit II, antarët e Lidhjes e
lanë Skënderben në fatin e tij, siç e pamë më sipër. Ky e përballi furtunën me fuqitë e
armatosura që nxori nga principata e vet. Krerët shqiptarë mundohëshin, si gjithnjë, të
ruanin pavarësinë dhe të drejtat e tyre feudale mbi tokat që zotëronin. S'shikonin dot
përtej interesavet vetiake më të ngushta, dhe seicili kërkonte të kishte lidhjet e tija me
shtetet e jashtëm.

Skënderbeu, duke përfituar nga pozita si kryekumandar i ushtërisë shqiptare dhe


sidomos nga prestigji që i dhanë brenda dhe jashtë Shqipërisë fitoret e shkëlqyera
kundër Turkut, u mundua t'i shtronte nën autoritetin e vet krerët më të vegjël dhe të
hidhte kështu themelet e një shteti shqiptar të përqendruar. Si mjet për t'ia arritur këtij
qëllimi, përveç aftësisë politike dhe lidhjevet familjare, përdori sidomos forcën
ushtarake. E pamë se sa rëndësi i dha Skënderbeu, që në fillim, organizimit t'ushtërisë.
Kuadrat e kësaj i krijoi ai vetë duke i zgjedhur më të shumtën nër familjet bujare, po
edhe nga radhët e popullit. Me prestigjin e madh që fitoi në luftë, i lidhi pas vehtes
krerët më të vegjël dhe masat e gjera popullore. Pak nga pak, zotërimet e familjeve
bujare të Shqipërisë së Mesme u bashkuan e u njësuan pothuajse me principatën e
Skënderbeut, mbasi ky, për nevojat ushtarake, duhej të shkelte nëpër to, të linte
garnizone besnike në fortesat e tyre dhe të kishte lidhje të drejtpërdrejta me
popullsinë. Kështu Thopiajt, Stres-Balshajt, Muzakajt e të tjerë e humbën pavarësinë e
mëparshme dhe iu nënshtruan, me dashje a pa dashje, autoritetit të Skënderbeut, i cili
iu la titujt e pronavet e iu dha shpeshëherë shkallë të larta në kumandën e ushtërisë,
por e mori vetë në dorë mprojtjen e krahinavet të tyre. Kuptohet vetvetiu se kjo pozitë
i jepte të drejtën e ndërhyrjes n'ato krahina, të cilat, me dashurinë dhe nderimin e
madh që kishin për të, zunë t'i bindëshin më shumë autoritetit të tij se sa zotërinjve
titullarë. Nganjëherë ua rrëmbente pronat bujarëvet që s'i shtrohëshin dhe ua jepte
besnikëve ose atyreve që shquhëshin për zotësi në luftë. Pas rrethimit të parë të
Krujës, i pat falur Kont Uranit, si shpërblim për qëndresën heroike, një tokë të gjerë
në Mat.

Natyrisht, kjo politikë e brendëshme e Skënderbeut nuk ishte kundër rendit feudal në
vetvehte si klasë shoqërore, por kërkonte t'a shtronte feudalizmin shqiptar nën
autoritetin e një pushteti qendror duke ia hequr fuqinë politike, për të bërë një shtet të
përqendruar, ashtu siç ngjau disa kohë më vonë në Francë, në Gjermani e gjetkë me
formimin e monarkive të mëdha. Këtë politikë përqëndrimi shtetëror rreth principatës
së vet Skënderbeu e ndoqi krahas me luftën kundër Turqve, megjithëse i solli mjaft
trazime dhe i shkakëtoi një varg trathëtish deri tek njerëzit e tij më t'afërm. Por pa
bashkimin e forcavet njerëzore dhe të mjetevet ekonomike të vendit në një rreth sa më
të gjerë, s'do të kish mundur të mbahej as t'i bënte dot ballë për një kohë aq të gjatë
perandorisë s'Osmanllinjvet. Kështu Skënderbeu është i pari princ n'Evropën feudale
që ua hoqi Zotërinjvet të nënvarur të drejtën e sovranitetit mbi tokat e tyre dhe i shtroi
nën autoritetin e tij.

Dëshminë më të mirë të kësaj politike përqëndronjëse të Skënderbeut na e jep Gjin


Muzaka në Gjenealogjinë. "Pasi u bë kumandar i përgjithshëm i Zotërinjvet të
Shqipërisë, tregon ky, në pak kohë mendoi t'a zotëronte të tërë vendin. Hodhi në burg
vëllezërit Gjon e Gjokë Balsha... dhe ua mori shtetin e tyre ndërmjet Krujës dhe
Leshit, domethënë krahinën Misia. I mori edhe Zotit Moisi Komnenit shtetin e tij që
ishte në Dibër... Dhe, si vdiq im atë, na mori edhe neve Tomonishtën, domethënë
Myzeqenë e Vogël, e ashtu ua bëri edhe Zotërinjve të tjerë... që nuk mund të
mprohëshin, sepse ai kishte fuqinë e ushtërisë, dhe Turku na rrinte gjithmonë mbi
krye... ".

Duket se Gjin Muzaka ngatërrohet pak n'emrat e vëllezërvet Balshaj dhe në punën e
Moisiut. Skënderbeu burgosi Gjergj dhe Gjokë Stres Balshajt, të nipërit, që e
trathëtuan duke iu lëshuar Turqvet fortesën e Modricës. Dhe Moisi Golemit ia mori
krahinat në Dibër kur ai e trathëtoi, por ia këtheu prapë pasi e fali. Sidoqoftë, dëshmi e
Gjin Muzakës vërteton se Skënderbeu ishte gjithmonë i gatishëm t'ua përfshinte
principatat krerëve të tjerë, ose t'iu linte titujt dhe t'i shtronte nën autoritetin e tij.

Vetëm zotërimet e dy familjeve të mëdha nuk mundi Skënderbeu t'i përmblidhte në


shtetin e vet: ato të Dukagjinëvet, në veri, dhe ato t'Aranitëvet, në jugë. Këto dy
principata, duke qënë vende malore, patën ruajtur edhe më përpara një farë autonomie
kundrejt Turqvet. Sadoqë me familjen e Aranitëvet Skënderbeu u lidh me krushqi, të
bijt e Gjergj Aranitit i pat kundër, të zemëruar sepse i ati i dha motrës së tyre një pajë
të madhe. Edhe Gjergj Araniti vetë i ftohu marrëdhëniet pak nga pak me të dhe më në
fund u vu në shërbim të Venetikut. Kurse Dukagjinët i pat më të shumtën e herës jo
vetëm kundërshtarë po edhe armiq, dhe për pak desh hyri në luftë me ta. Në disa raste,
Dukagjinët arritën sa të lidhëshin edhe me Turqit kundër Skënderbeut.
Kështu, gjatë luftës së tij të paprerë, Skënderbeu mundi të formonte një shtet shqiptar
në kuptimin politik dhe ushtarak të fjalës, i cili përfshinte pothuajse të tërë Shqipërinë
e Mesme, përveç Durrësit, një pjesë të Veriut dhe disa krahina të Jugës. Kjo bërthamë
e Shqipërisë erdhi gjithnjë duke u përqendruar nër duart e tija. Natyrisht, organizimi i
këtij shteti kishte një karakter ushtarak, dhe ajo çka mund të quhejadministrata e tij
duhej t'iu shtrohej nevojave të luftës: në vijë të parë vinin rekrutimi i ushtarëvet,
financat, grumbullimi i ushqimevet, ndreqja e fortesavet etj. I kapërthyer në një luftë
të përhershme për jetë a për vdekje, shteti i Skënderbeut nuk pati nge as mundësi që të
zhvillohej në të tjera drejtime, të krijonte institute kulturore, t'iu jepte një shtytje
diturivet edh'artevet, t'a bënte shqipen gjuhë letrare me një liturgji kishtare të sajnë.
Kjo do të kishte sjellë bashkimin kulturor dhe shpirtëror të kombësisë shqiptare. Po
edhe me aq sa mundi, ndërmarrja e Skënderbeut mbetet në historinë e Shqipërisë si
përpjekja m'e fortë drejt bashkimit kombëtar, nëpërmjet të një qëndrese heroike që la
gjurma të thella për në të pastajmen.

Nuk duhet t'i veshim kohës së Skënderbeut ndjenjat kombëtare të sotshme. Por është
për t'i vënë re njëj letre që fatosi i ynë i dërgonte si përgjigje princit të Tarantos,
Antonio Orsini-t, më datën 31 Tetor 1460. I shkruante nër të tjerat: "E mbasi thoni se
me Shqiptarët nuk do të mjaftonj për ta ndihmuar as për t'a mprojtur (mbretin
Ferdinand), as për të dëmtuar armiqtë e tij të fuqishëm, po ju përgjigjem se puna është
ndryshe, e nëqoftëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi Epirotë, dhe duhet të kini
njohuri se në kohë të tjera stërgjyshët tonë kanë kaluar në vendin që ju mbani sot dhe
kanë bërë me Romakët beteja të mëdha, dhe e dimë se të shumtën e herës fituan më
tepër nder se turp".

Kjo pjesë e letrës nuk lë pikë dyshimi që Skënderbeu kish një kuptim të historisë së
lashtë të kombit shqiptar dhe se vehten e tij e mbante si pasardhës i Pirros s'Epirit. Në
shekullin XV, duket se Shqiptarët kishin një ide të qartë mbi vjetërsinë e racës së tyre
dhe e dinin që zbrisnin prej Iliro-Epirotëvet.

Politika e jashtëme e Skënderbeut i nënshtrohej nevojës së vazhdimit të luftës kundër


Turqvet. Porsa filloi kryengritjen e tij më 1443, u kthye nga Perëndimi me të cilin e
lidhte feja, qytetërimi, tradita politike dhe sidomos qëllimi i përbashkët i mprojtjes
kundër Turkut. Pasi u bë i famshëm në fushën e betejavet dhe tërhoqi vëmendjen e
fuqivet evropiane t'asaj kohe, Skënderbeu u përpoq t'a lidhte luftën e tij me frontin e
përbashkët të Krishterimit dhe t'a bënte Shqipërinë si kryeurën e mprojtjes së Evropës.
E dinte se po t'ishte përmbysur ai, edhe Italia do t'a kishte ndierë sigurisht rrezikun
dhe do të kishte rënë nën sundimin e Turqvet, sikurse i shkruante princit të Tarantos
në letrën që përmendëm më sipër. I vetëdijshëm për rolin e tij si mprojtës i
Krishterimit dhe i Evropës, Skënderbeu kërkoi ndihmë dhe aliancë ngado që t'i vinin.
Në fillim, duke ndjekur traditën e familjes së Kastriotëvet, ai shpresoi tek përkrahja e
Venetikut. Por e pamë se Republika, me politikën e saj tregëtare, s'mendonte tjetër
veç si e si të shtrinte tregëtinë në Lindje, duke e mbajtur mirë me Turqit, dhe të
siguronte zotërimet që kishte anës detit të Shqipërisë. Prandaj jo vetëm që s'i dha
ndonjë ndihmë të rëndësishme Skënderbeut, por e shikoi edhe si të rrezikshëm për
qytetet që ajo sundonte në Shqipëri dhe nisi nga intrigat për të përçarë Lidhjen
Shqiptare të Leshit. Më 1448, arriti sa të merrej vesh edhe me Turqit për t'i bërë luftë
të hapët Skënderbeut, sikurse e pamë më sipër. Gjatë rrethimit të parë të Krujës, më
1450, Skënderbeu kërkoi që Republika t'a merrte nën mprojtje duke i premtuar t'i falte
edhe Krujën si peng besnikërie, por ajo s'desh t'i prishte n'asnjë mënyrë marrëdhëniet
e mira me Sulltanin.

Atëhere Skënderbeut iu desh të vështronte nga një tjetër fuqi e madhe që ishte fqinjë
deti me Shqipërinë, nga Mbretëria e Napolit, në krye të së cilës ndodhej Alfonsi V i
Aragonës, një nga princat më të shquar dhe më të fuqishëm të kohës së tij. Edhe me të
tjerë shtete të Perëndimit Skënderbeu u mundua të mbante marrëdhënie sa më të mira,
sidomos me Papatin, i cili ishte qendra e përpjekjevet për organizimin e një kryqëzate
të përgjithshme evropiane kundër Turqvet. Papët e patën përkrahur moralisht dhe, në
disa raste, edhe me të holla, ushqime e municjone. Patën ndërhyrë pranë shteteve dhe
princave t'asaj kohe që t'a ndihmonin. Në planet e kryqëzatave që patën menduar
Papët njëri pas tjetrit, Skënderbeu, i cili ishte bërë një figurë e madhe evropiane, vinte
në radhë të parë, i mbuluar me tituj lavdie, si "Atlet e Mprojtës i Krishterimit" dhe
"Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë". Mjerisht, asnjë nga ato plane nuk u
sendërtua (realizua), dhe Skënderbeut i kushtuan shtrenjtë disa herë shpresat e thata.

Me Republikën e Raguzës (Dubrovniku i sotshëm) Skënderbeu pat qënë gjithmonë në


marrëdhënie të mira dhe qe pritur me nderime të mëdha prej Senatit të saj. Qyteti i
Raguzës kishte një shumicë familjesh shqiptare që zinin një vend të parë në Senat dhe
në ofiqet e larta të Republikës. Prandaj lidhjet midis Shqipërisë dhe Raguzës patën
qënë gjithmonë të përzemërta. Ajo nuk bëri ndonjë aliancë ushtarake me Skënderben,
por e ndihmoi disa herë me të holla dhe i vlejti si ndërmjetëse besnike për ndërlidhjet
e tija me Italinë dhe me Hungarinë.

Përveç Shqipërisë, si fuqia luftarake m'e madhe kundër Turqisë ishte n'atë kohë
Hungaria me kumandarin e famshëm Gjon Huniadin. Por Hungaria dhe Shqipëria
ndodhëshin larg njëra-tjetrës, prandaj me gjithë marrëveshjet që pat pasur midis
Skënderbeut dhe Gjon Huniadit, këta të dy s'i bashkuan dot forcat e tyre në një front të
vetëm dhe mbetën t'a luftonin Turkun seicili m'anë të tij. Skënderbeu pati lidhje
miqësore e shkëmbime letrash e dhuratash edhe me Dukën e Milanos dhe me Dukën e
Burgonjës. Me despotin e Serbisë, Gjergj Brankoviçin, u afrua më 1448 për kundër
Venetikut, por në luftën kundër Turqvet nuk mund të pritej ndonjë ndihmë prej tij
mbasi ai ishte bërë vasali i Sulltan Muratit II. Më në fund, Mehmeti II e përzuri prej
Serbie Brankoviçin, dhe trashëgimtari i tij, despot Stefani, erdhi të gjente strehë në
Krujë pranë Skënderbeut. Kemi një letër-shkëmbim ndërmjet këtij dhe Dukës së
Milanos, ku fatosi shqiptar i lutej Dukës që të bënte diçka për despot Stefanin.

Pas rrethimit të parë të Krujës dhe tërheqjes së Sulltan Muratit, me gjithë fitoren e
Shqiptarëvet, vendi ishte prishur anembanë, fushat e Shqipërisë së Mesme ishin
shkretuar nga lufta dhe nga qëndrimi i gjatë i ushtërisë armike, katundet ishin djegur,
popullsia kishte mbetur pa strehë, pa gjë, pa bukë, me mijëra të plagosur e të gjymtuar
thërrisnin për ndihmë, deri muret e Krujës ishin çarë e dërrmuar; ngado që kaloi
rrebeshi s'të zinte syri veç gërmadha e mjerime. Duhëshin mjete për të rindërtuar
vendin, për të shpëtuar popullsinë nga uria, për të ndrequr muret e fortesavet, për të
vazhduar qëndresën.

Me hipjen e Sulltan Mehmetit II në fron - një nga sulltanët m'ambiciozë, më të


pashpirt dhe më gjakësorë por njëkohësisht edhe një nga më të zotët që ka pasur
Turqia - i cili kish për qëllim të pushtonte më nj'anë Kostandinopojën dhe n'anën tjetër
Romën, dhe rrugën e kësaj të fundit ia priste Shqipëria, u duk se lufta midis Turqisë
dhe Shqipërisë do të vazhdonte deri me shuarjen e njërës anë. Skënderbeu vetëm për
vetëm e kishte fort të vështirë tani t'i bënte ballë gjendjes pa një ndihmë të jashtëme.
Pas provës që pati me Venetikun, s'i mbetej tjetër rrugë veçse ajo e Napolit.

Alfonsi V i Aragonës që kish hipur në fronin e Napolit, nuk ishte më pak ambicioz
nga Normanët, nga Hohenshtaufen-t dhe nga Angjevinët. Ëndërronte edhe ky, sikurse
Charles d'Anjou, të themelonte një perandori të gjerë në Mesdhe. Mbasi pellgun
perëndimor të këtij deti e kishte bërë të tijnë, donte ta shtrinte sundimin edhe mbi
pellgun lindor duke pasur Napolin si qendër. Mirëpo rrugën e Mesdheut të lindjes ia
prisnin Turqia dhe Venetiku. Shqipëria, me një ushtëri të fortë nër duart e
Skënderbeut, kishte rëndësi të veçantë për Alfonsin V si pikëmbështetje për politikën
e tij ambicioze në Ballkan dhe në Lindje. I zgjuar e largpamës, ai e kishte kuptuar
mirë rrezikun turk. Por nga ana tjetër, shihte edhe tek Venetiku një rival shqetësonjës.
Prandaj nisi t'i shtrëngonte lidhjet me Skënderben më 1448, kur ky ndodhej në luftë
kundër Republikës. Shikonte te kryetrimi shqiptar një shtyllë qëndrese të sigurtë edhe
kundrejt rrezikut turk. Kurse Skënderbeu, nga anë e tij, kishte nevojë të madhe për
ndihmën e një shteti të fuqishëm, siç ishte Mbretëria e Napolit, për t'i bërë ballë
Sulltan Mehmetit II.

Kështu u arrit nënshkrimi i një traktati, në Gaeta (Itali), më 26 të Marsit 1451,


ndërmjet Alfonsit V dhe dy të dërguarve të Skënderbeut, peshkopi i Krujës, Stefani,
dhe dominikani Nikolla de Berguzi. Në përmbajtjen e këtij traktati, Skënderbeu dhe
farefisi i tij detyrohëshin t'ia dorëzonin Krujën dhe principatat e tyre njëj zëvendësi
t'Alfonsit në rast se ky do të dërgonte ushtarë dhe ndihma të mjafta për t'a mprojtur
vendin nga Turqit. Dhe po t'ishte se me ndihmën e Alfonsit do të çlirohëshin toka të
tjera që kishin pushtuar Turqit, do të hynin edhe këto nën mprojtjen e mbretit të
Napolit. Skënderbeu premtonte se do të vente në Napoli a më çdo vend tjetër që t'i
caktonte Alfonsi, për t'a njohur atë si kryezot dhe për t'i bërë betimin e besnikërisë -
siç ishte zakoni në Kohën e Mesme - por mbasi ta kishte çliruar prej Turqve krejt
vendin (Beratin, Sfetigradin etj.) me ndihmën e Alfonsit. Premtonte gjithashtu se do t'i
paguante mbretit të Napolit një haraç të përvjetshëm në rast se me ndihmën e atij do ta
kishte shpëtuar vendin prej rrezikut turk. Kurse mbreti i Napolit zotohej se do t'a
merrte nën mprojtje Skënderben dhe gjithë farefisin e tij, se do të ruante privilegjet e
Krujës dhe të krejt Arbërisë, se do të dërgonte ushtarë dhe ndihma të mjafta për në
luftën kundër Turqvet.

Traktate të këtilla Alfonsi V lidhi edhe me Gjergj Aranitin, me Dukagjinët dhe me


shumë krerë të tjerë shqiptarë dhe ballkanikë duke pasur në mendje organizimin e një
kryqëzate të përgjithshme kundër Turqvet, por nuk ia arriti dot qëllimit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Alfonsi V dërgoi në Krujë një fuqi simbolike prej
100 ushtarësh Katallanë për të marrë gjoja në dorëzim qytetin, dhe një komisar të
posaçëm, Bernard Vaquer, i cili u zëvendësua, një vit më vonë, nga kalorësi Ramon
d'Ortafa, që përfaqësonte mbretin e Napolit në Shqipëri. Kjo fuqi e vogël ndëjti në
kështjellën e Krujës deri pas vdekjes së Skënderbeut, si një paraqitje simbolike.
Ramon d'Ortafa vëzhgonte zhvillimin e ngjarjevet të Shqipërisë dhe ia raportonte herë
pas here mbretit të Napolit. Skënderbeu i dërgonte Alfonsit, pas fitorevet, plaçka,
flamure e kuaj që iu zinte Turqvet, por nuk i pagoi kurrë haraç as nuk i bëri betimin e
besnikërisë.

Traktati i Gaetës, po të shikohej nga forma, ose nga ana juridike si do të thoshnim sot,
e vinte Skënderben në një pozitë të nënshtruar përpara Alfonsit V dhe Shqipërinë nën
protektoratin e mbretit të Napolit. Por po të shikohej nga ana praktike, delte në
përfitim të Skënderbeut dhe të Shqipërisë. Është e vërtetë që Alfonsi V u mundua
t'impononte vullnetin e tij dhe të ndërhynte pak si tepër në punët e brendëshme të
Shqipërisë duke mbajtur lidhje edhe me krerë të tjerë. Por këta nuk i nxiti asnjëherë
kundër autoritetit të Skënderbeut, i cili mbeti, në fakt, kryekumandar dhe sundimtar i
Shqipërisë. Ndërhyrjet e Alfonsit prunë disa moskënaqësira dhe ndoshta qenë një nga
shkaqet e trathëtivet që ngjajtën më vonë. Por ai s'pat kurrë një mundësi kontrolli mbi
Shqipërinë, dhe Skënderbeu, si në Krujë ashtu edhe në tërë shtetin e tij, sundoi e
kumandoi vetë, krejt i pavarur, deri sa vdiq. Mund të themi se traktati i Gaetës,
praktikisht, pati zbatim të njëanshëm, domethënë në fitim të Skënderbeut, sepse,
megjithëqë nuk u zbatua dot kurrë pikë për pikë, ndihmat që dha mbreti i Napolit, të
holla, ushqime, inxhenjerë, armë e municione, sadoqë jo të mjafta, i vlejtën shumë
kryetrimit shqiptar për të kapërcyer vështirësitë e tmerrshme ndërmjet vjetëvet 1451-
1458. Skënderbeu e kish kuptuar që nënshtrimi përpara mbretit të Napolit do t'ishte
vetëm në dukje, kurse ndihmat që shpresonte të merrte prej atij mund t'ishin
vendimtare për të përballur rrezikun turk dhe për të mbajtur shtetin shqiptar në këmbë.
Dhe me të vërtetë, jo vetëm që Alfonsi nuk pati ndonjë sundim mbi Shqipërinë, por,
pas vdekjes së tij, kur i biri, Ferdinandi, ishte në rrezik të humbiste fronin e Napolit, iu
desh Skënderbeut të hidhej n'Itali për t'ia siguruar. Sidoqoftë, Skënderbeu ruante një
kujtim mirënjohjeje të thellë ndaj Alfonsit, siç kuptohet nga letrat e tija.

Lidhja e Shqipërisë me Mbretërinë e Napolit e shqetësoi Venetikun, i cili nisi përsëri


intrigat e përçarjes dhe ngacëmimet kundër Skënderbeut. Senati i Republikës ia preu
këtij pensionin që i kishte lidhur me traktatin e paqes të vitit 1448. Cytjet dhe trazimet
në kufijt filluan rishtas. Por Skënderbeu u hodh menjëherë në vepërim duke hyrë me
ushtëri nëpër krahinat që zotëronte Venetiku. Kjo gjendje vazhdoi gjer në Jenar të vitit
1452, kur Senati i Republikës hoqi dorë nga provokimet dhe nisi t'ia paguante përsëri
pensionin Skënderbeut.

XIII
Sulltan Mehmeti II, i zënë n'Anadoll me princat e Karamanisë dhe të Mendeshës, nuk
dërgoi ndonjë ushtëri kundër Shqipërisë gjatë vitit 1451. Kjo i la pak kohë të lirë
Skënderbeut që të merrej me rindërtimin e vendit dhe me organizimin e mprojtjes.
Ndreqi muret e kështjellës së Krujës dhe i vuri në gjendje që t'iu qëndronin topavet të
rëndë. Ndërtoi një fortesë të re në Modricë, mbi një lartësirë të malit Shar, për t'iu
mbyllur ushtërive turke hyrjen e Dibrës së Poshtëme pas humbjes së Sfetigradit. La
aty një garnizon prej 400 vetash nën kumandën e Gjergj Stres Balshës, i cili duhej të
vëzhgonte lëvizjet e ushtërive armike kur vinin nga Maqedonia dhe të jepte shenja me
top. Nisi të ndërtonte gjithashtu një tjetër fortesë në kep të Rodonit, te gryka ku
derdhet Drini në det. Atje shkonte vetë, pothuajse çdo ditë, për të shikuar punimet. Por
një mëngjes, kur delte nga Kruja për të vajtur te kepi i Rodonit, iu qas një i panjohur
edhe i tha se në pyllin e Krabit i kishin zënë pusinë për t'a vrarë. Një repart i gardës u
dërgua menjëherë dhe zbuloi tetë veta t'armatosur, të fshehur në një shpellë. Në
përpjekjen që u bë për t'i kapur të gjallë, pesë prej tyre u vranë dhe vetëm tre u
dorëzuan. Këta treguan se ishin Turq të dërguar prej Sulltanit për të vrarë Skënderben.
Kishin ardhur n'atë pyll t'udhëhequr prej dy Shqiptarësh, që mbetën të vrarë bashkë
me tre shokë të tyre. Nuk dinin se cili kapedan shqiptar ua dha dy udhëheqësit për në
pyll të Krabit, mbasi shokët e tyre që u vranë nuk ua kishin treguar. Dyshimi i parë ra
mbi Dukagjinët, të cilët, n'atë kohë, ishin armiq me Skënderben, dhe Lek Dukagjini
kishte famë të keqe për këso punësh. Por këta, më pastaj, u shpjeguan, u betuan dhe
dolën të larë. Atëhere dyshimi kaloi me radhë mbi të bijtë e Aranitit, të zemëruar për
pajën e tepërt që pat marrë motra e tyre, mbi Moisi Golemin dhe mbi Hamzë
Kastriotin, të cilët, pak më vonë, dolën trathëtarë njëri pas tjetrit. Sidoqoftë, komploti i
pyllit të Krabit tregon fillimin e trathëtive të brendëshme që e ndoqën Skënderben deri
në rrethin familjar të tij. Këto nxitëshin, sigurisht, prej armiqve të jashtëm, por
dëftejnë edhe se sa i vështirë ishte bashkimi i Shqiptarëvet dhe se sa pak e duronin
krerët dhe kapedanët e vendit politikën përqëndronjëse të Skënderbeut.

Në verën e vitit 1452, porsa Sulltan Mehmeti II i pati duart e lira, dërgoi dy ushtëri
turke në të njëjtën kohë për t'a vënë Skënderben midis dy zjarresh. I pari arriti Hamza
Pasha me një fuqi prej 10.000 vetash, kurse kryekumandari, Talip Pasha, me 15.000 të
tjerë, vinte nga një rrugë tjetër. Skënderbeu me ushtërinë shqiptare prej 14.000 vetash
rendi më parë kundër Hamza Pashës, e goditi afër Modricës, më 21 të Korrikut, dhe e
dërrmoi në pak orë duke e zënë rob atë vetë bashkë me tërë shtabin. Pastaj i dolli
përpara Talip Pashës në fushën e Meçadit dhe i mori krahët me gardën e famshme,
ndërsa Moisi Golemi me pjesën tjetër t'ushtërisë e sulmoi për ballë. Më parë se të
niste beteja, Shqiptarët iu treguan Turqvet Hamza Pashën të lidhur bashkë me oficerët
e shtabit të vet që ishin zënë rob. Megjithatë, ushtëria turke luftoi me tërbim deri sa
Moisi Golemi, me një sulm të tmerruar, e çau përmidis, u fut deri në qendër dhe e
vrau Talip Pashën me dorën e tij. E mbetur pa kumandar, ushtëria armike u
shpartallua dhe Shqiptarët korrën një fitore të madhe. Sipas kronikanëvet, në këto dy
beteja Turqit lanë përmbi 7.000 të vrarë, përveç robërvet. Të dy kampet me flamuret,
me kuajt dhe me tërë plaçkat e tyre mbetën në duart e Shqiptarëvet. Për të liruar
Hamza Pashën dhe oficerët e tjerë robër, Skënderbeu mori si shpërblim nga Sulltani
13.000 dukata.

Kjo fitore e dyfishtë kundër dy ushtërive të Sulltan Mehmetit II iu dha zemër


Shqiptarëvet dhe bëri që të jehonte emri i tyre në tërë Evropën. Një gëzim tjetër solli
pajtimi i Skënderbeut me Dukagjinët, që u bë në Shtator t'atij viti me ndërhyrjen e
Papës Nikolla V nëpërmjet të peshkopit të Drishtit, Pal Engjëllit.

Në Prill të vitit 1453, megjithëse Mehmeti II bënte përgatitjet për të pushtuar


Kostandinopojën, nuk e harroi Shqipërinë. Dërgoi një ushtëri prej 14.000 vetash nën
kumandën e Ibrahim Beut, i cili desh të hynte nga ana e Tetovës. Por Skënderbeu i
dolli përpara, e goditi befas ushtërinë turke në fushën e Pollogut, më 22 të Prillit, dhe
e dërrmoi plotësisht duke vrarë me dorën e tij edhe Ibrahim Ben.

Më 29 Maj 1453, Sulltan Mehmeti II pushtoi Kostandinopojën ose Stambollin, siç e


quajtën Turqit, edhe e bëri kryeqytet t'Osmanlinjvet duke i dhënë fund Perandorisë
Bizantine mijëvjeçare. Kjo ngjarje shkakëtoi një tronditje të madhe n'Evropë, sepse
pushtonjësi i Stambollit, pasi të siguronte sundimin e vet në Lindje, do t'i vërsulej
Perëndimit. Mirëpo, përveç tronditjes psikologjike dhe disa mbledhjeve që u bënë aty-
këtu, Evropa dukej në pamundësi lëvizjeje. Italia, e sidomos Mbretëria e Napolit dhe
Republika e Venetikut, që kërcenohëshin drejtpërdrejt prej rrezikut turk, ndodhëshin
të zëna me grindjet e brendëshme. Venetiku luftonte kundër Milanos, Napoli kundër
Gjenovës dhe Firencës. Papa Nikolla V mundohej të paqësonte Italinë dhe i lëshoi
zërin Krishterimit që të ngrihej me armë kundër Turqvet. Mendimi i njerëzve
largpamës, n'Evropë, ishte për bashkimin e të gjitha forcavet të krishtere në një
kryqëzatë të përgjithshme. Një mbledhje e madhe u bë në Romë për këtë qëllim; u
bënë mbledhje nëpër qendra të tjera. Por nga këto thirrje s'dolli asgjë. Seicili prej
princave ose shteteve të Perëndimit shikonte interesat e tija më të ngushta, në
kundërshtim njëri me tjetrin. Enthusiazmi fetar i Mesjetës ishte ftohur, koha e
kryqëzatavet kishte perënduar. Evropa hynte në periudhën e Rilindjes, me oborret
princore që hahëshin në mes tyre kush të shkëlqente më shumë, pa një hov
ndërmarrjesh të largëta ushtarake dhe pa një autoritet të lartë që t'i mblidhte tok.

Megjithatë, rënia e Stambollit në duart e Sulltan Mehmetit II, i cili pas këtij
ngadhënjimi u mbiquajt Fatih (pushtonjës), u duk sikur do të sillte afrimin midis
Venetikut dhe Napolit. Skënderbeu desh të përfitonte nga çasti psikologjik dhe iu
drejtua për ndihmë Papës, Alfonsit V, Venetikut, Raguzës. Mori si përgjigje fjalë të
mira dhe premtime. Me ndërmjetësinë e Raguzës hyri në marrëveshje me Hungarinë
dhe Serbinë, që këta dy shtete të formonin me Shqipërinë një front ushtarak të
përbashkët. Sepse, me gjithë zhurmat e Perëndimit dhe thirrjet e Papës, si fuqi të
vërteta për të mprojtur qytetërimin evropjan, n'atë kohë, s'kishte veçse dy popuj dhe
dy burra: Skënderbeu me Shqiptarët dhe Gjon Huniadi me Hungarezët. Papa Nikolla
V u përpoq t'i ndihmonte këta të dy me sa i erdhi për dore.

Me shqetësimin që solli rënia e Stambollit, Skënderbeu shpresoi se do të ndihmohej


nga Perëndimi për të çliruar Beratin dhe Sfetigradin. Me këtë mendim, nisi një dërgatë
për në Napoli që të kërkonte ndihmën e Alfonsit. Mbasi dërgata u kthye pa bërë
gjëkafshë, Skënderbeu u nis vetë për n'Itali, në Tetor të vitit 1453, i shoqëruar nga një
provizor i Venetikut, me qëllim që t'i parashtronte Alfonsit planet e tija dhe t'i
kërkonte ndihmën ushtarake, sipas traktatit të Gaetës, për t'i përzënë Turqit nga pjesët
e shkelura të Shqipërisë. Dukej sikur Venetiku dhe Napoli po bashkohëshin këtë radhë
për ta ndihmuar. Alfonsi V i premtoi artileri dhe ushtarë për të çliruar Beratin. Prej
Napolit, Skënderbeu shkoi në Romë, ku u prit me nderime nga Papa Nikolla V, i cili i
dhuroi edhe një shumë të hollash prej 5.000 dukatash.

Mjerisht, ndihmat e Perëndimit ishin të pakta dhe të pasigurta. Edhe bashkimi i


menduar prej tij ish i pamundshëm. Disa muaj më vonë, në Prill të vitit 1454,
Republika e Venetikut ua la të tjerëve barrën e luftës kundër Turqve dhe i këtheu
krahët Perëndimit duke nënshkruar me Sulltanin një paqe të veçantë për të shpëtuar
interesat e saja. Skënderbeu u përpoq të forconte lidhjet në Ballkan, dhe sidomos
bashkëvepërimin ushtarak me Hungarinë.

Sulltan Mehmeti II, për të ndaluar krijimin e një fronti të përbashkët ndërmjet
Hungarisë, Serbisë dhe Shqipërisë, nisi një ushtëri kundër Serbisë, më 1454, duke
shpresuar në këtë mënyrë të hapte rrugën për në Hungari. Por Gjon Huniadi me
ushtërinë hungareze kapërceu Danubin, hyri në Serbi, e theu ushtërinë turke, dhe
kumandarin e saj, Feriz Pashën, e zuri rob.

Ndërkaq, Skënderbeu po bënte pregatitjet për rrethimin e Beratit. Këtë çështje e kishte
biseduar sigurisht në Napoli, që më 1453, me Alfonsin V. Çlirimi i Beratit kishte një
rëndësi strategjike të dorës së parë si për Shqipërinë ashtu edhe për sigurimin e
Mbretërisë së Napolit. Sepse ky qytet, nga gjeografia dhe nga pozita natyrore e tij,
ishte si kryeura m'e fortë e pushtimit ushtarak turk mu në zemër të Shqipërisë. Pasi të
merrej Berati, hapej rruga për çlirimin e mëtejshëm të Vlorës dhe të Gjirokastrës,
domethënë të krejt Toskërisë, ngaha Turqit kërcënonin Mbretërinë e Napolit. Por, për
të thyer muret e Beratit, duhëshin topa.

Skënderbeut iu desh ndoshta t'i përsëriste disa herë kërkesat e tija. Më në fund,
ndihmat e Alfonsit, 1.000 ushtarë këmbësorë dhe disa reparte artilerie me nja 18 topa,
arritën në Maj të vitit 1455. Në Korrik të atij viti Skënderbeu e rrethoi Beratin me një
ushtëri shqiptare prej 14.000 vetash dhe me repartet napolitane. Mendoi t'a zinte në
befasi garnizonin dhe t'a merrte kështjellën pa gjak. Por Turqit, të lajmëruar prej
ndonjë trathëtari, ishin në dijeni të punës dhe qenë bërë gati për qëndresë. Megjithatë,
Shqiptarët e pushtuan qytetin dhe e shtrënguan rrethimin e kështjellës duke çarë me
artileri një pjesë të murevet. Kumandari i garnizonit turk kërkoi një muaj afat për të
dorëzuar fortesën. Skënderbeu s'desh të hynte fare në kësi bisedimesh, por më në fund
u detyrua prej rrethit të tij dhe prej kumandarit të repartevet napolitane, Palerino-s, të
jepte një armëpushim prej njëmbëdhjetë ditësh. Pastaj, duke e lënë ushtërinë nën
kumandën e Muzakë Thopisë, ai vetë u largua me 4.000 trima të gardës për të marrë
një fortesë tjetër, të cilën nuk e dimë se ku ishte. Largimi i Skënderbeut nga Berati,
n'ato rrethana, ishte një gabim i tmerrshëm, dhe gabimi i dytë ishte që e la ushtërinë
nën kumandën e të kunatit, Muzakë Thopisë, kurse aty kishte gjeneralë më të zotë dhe
më të provuar. Ushtëria shqiptare, e çkujdesur, kujtoi se e kishte fortesën në dorë dhe
u shtrua rreth Beratit si në dasmë. Mirëpo, përpara se të kalonin të njëmbëdhjetë ditët,
arriti befas Isak Bej Evrenozi me një ushtëri turke prej 40.000 kalorësish të zgjedhur
dhe, duke e gjetur ushtërinë shqiptare të papregatitur për qëndresë, e korri si me
drapër. Më shumë se gjysma e Shqiptarëvet mbetën të vrarë bashkë me Napolitanët e
Alfonsit. I tërë kampi dhe topat ranë në duart e Turqvet. Kur u kthye Skënderbeu në
Berat, puna kishte mbaruar. Ata që mundën të shpëtonin iknin të tmerruar dhe s'kishte
mbetur asnjë mundësi qëndrese. Sikur Isak Bej Evrenozi t'ecte drejt Krujës, mund t'a
kishte marrë, se rruga ishte krejt e hapur. Por ai, i kënaqur me suksesin që pati në
Berat dhe duke iu trëmbur emrit të Skënderbeut, nuk u shty më tutje. Pasi ndreqi
muret e fortesës dhe vendosi aty topat e Alfonsit, la një garnizon të shëndoshë dhe u
tërhoq nga Shqipëria.

Kjo tragjedi mundi të ngjante në këtë mënyrë sepse kishte pasur një trathëtar që i vuri
Turqit në dijeni të pregatitjevet dhe të planit të Skënderbeut për rrethimin e Beratit.
Trathëtari ishte Moisi Golemi, gjenerali m'i mirë i Skënderbeut. Si kumandar i forcave
të kufirit, ai gjeti një shkak për të mos ardhur në rrethimin e Beratit, se gjoja ishte i
nevojshëm të qëndronte në Dibër. Nga ana tjetër, lajmëroi Turqit mbi qëllimin e
Skënderbeut dhe i hapi udhën Isak Bej Evrenozit që t'a zinte ushtërinë shqiptare si në
kurth. Pastaj kaloi kufirin dhe u hodh nga anë e Sulltanit. Ushtëria që ai kumandonte
nuk e ndoqi në rrugën e trathëtisë dhe qëndroi në vend.

Kjo ngjarje desh e përmbysi Skënderben. Tërë bota kujtoi se i erdhi fundi. Venetiku
rifilloi të fuste spicat e përçarjes. Disa nga kapedanët shqiptarë zunë të kërkonin
mprojtje djathtas e majtas. Dukagjinët u lidhën përsëri me Turqit. Sa për Gjergj
Aranitin, ai nuk përmendet në këtë kohë sepse kishte hyrë në shërbim të Venetikut
dhe marrëdhëniet e tija me të dhëndrrin ishin ftohur fare.

Kushdo tjetër në vend të Skënderbeut do t'ishte përmbysur me të vërtet. Por ai u mbajt


si një shkëmb graniti që s'e shkepin dot tallazet as furtunat. Nuk u trondit as nga
gjëma e Beratit as nga trathëtia e Moisiut. Me vullnetin e tij të çeliktë dhe me
pështetjen e madhe që gëzonte në popull e mori përsëri vehten, e rikrijoi ushtërinë e
gjysmuar dhe vazhdoi qëndresën si më parë.

Alfonsi V, edhe pas mjerimit të Beratit, nuk i prishi lidhjet me Skënderben dhe
vazhdoi t'a ndihmonte pak a shumë si më parë. Papa dhe princa të tjerë evropjanë i
dërguan fjalë të mira për ta ngushulluar. Për fat të keq, armiqësia ndërmjet Napolit
dhe Venetikut pengonte ndihmat në një shkallë më të gjerë që Skënderbeu mund të
kishte marrë prej Perëndimit. Megjithatë, vullnetarë në një numër të kufizuar
vazhduan të vinin nga të gjitha viset e Evropës, Italianë, Frengj, Gjermanë e Anglezë,
për të luftuar pranë herojt shqiptar.

Disa auktorë kanë dashur të shikojnë në trathëtinë e Moisiut dhe në të tjerat që


ngjajtën më pas përzjerjen e tepëruar të mbretit të Napolit ose t'agjentëve të tij në
punët shqiptare. Venetiku e luftonte ndërhyrjen napolitane duke futur spica nër krerët
shqiptarë dhe deri në rrethin më të ngushtë të Skënderbeut. Nga ana tjetër, Sulltan
Mehmeti II kërkonte të ndante e të përçante për t'a përmbysur Skënderben me anën e
trathëtive të brendëshme. Por këto mënyra s'ka shtet imperialist që të mos i përdori,
dhe Romakët e vjetër i patën shprehur me dy fjalë: ndaj e sundo. Duhen shikuar më
fort arësyet e brendëshme që shtynë Moisinë, dhe të tjerët pas tij, të trathëtonin.
Arësyeja e parë është se të gjithë këta kapedanë bashkimin rreth Skënderbeut e
shikonin si një besëlidhje, si një shoqërim midis të barabartësh, dhe jo si një disiplinë,
si një nënshtrim hierarkik kundrejt një autoriteti. Kjo mendësi ose kjo natyrë është i
pari shkak që ka penguar formimin e një shteti shqiptar gjatë shekujvet dhe që e ka
shpërndarë racën shqiptare në të katër anët, si kashtën q'e merr era. Moisi Golemi
ishte nga familja e Aranit-Komnenëvet dhe pikërisht i nipi i Gjergj Aranitit që u bë
vjehrri i Skënderbeut. Të Parët e tij kishin qënë kryezotër të principatës s'Arbërisë, e
cila pastaj kaloi në duart e Kastriotëvet. Nga trimëria dhe zotësia për të kumanduar në
luftë Moisiu i kishte të rrallë shokët. Skënderbeu ia pat shpërblyer shërbimet sipas
vleftës, duke e nderuar sa duhej dhe duke i falur krahinat e Dibrës, ku ai qëndronte
vazhdimisht si kumandar i forcave të kufirit. Megjithatë, duket se Moisiu nuk e
duronte dot famën dhe autoritetin e Skënderbeut si edhe politikën përqëndronjëse të
tij. Ndoshta u shtyt edhe nga e shoqja, Zanfina Muzaka, e cila e urrente familjen e
Kastriotëvet, sepse burri i parë i saj, Muzakë Thopia, pasi u nda nga kjo, u martua me
Mamicën, të motrën e Skënderbeut.

Sidoqoftë, Moisi Golemi - ose Moisiu i Dibrës, siç e quanin - mendoi të bëhej
sundimtar i Arbërisë me forcën e Turqvet dhe si vasal i Sulltanit. Kujtoi se
Skënderbeu nuk do t'a merrte dot vehten pas katastrofës së Beratit. U nis nga
Stambolli në Prill të vitit 1456, me një ushtëri turke prej 15.000 kalorësish të
zgjedhur, edhe arriti në kufi për të përmbysur Skënderben dhe për t'i hedhur atdheut
prangat e robërisë. Nuk ishte e para as e fundit herë që e gjora Shqipëri shpërblehej në
këtë mënyrë prej bijve të saj!

Skënderbeu i dolli përpara trathëtarit në Dibrën e Poshtëme me një ushtëri prej 12.000
vetash. Më 18 të Majit, të dy ushtëritë u rreshtuan kundrejt njëra-tjetrës. Thuhet se
ndeshja filloi me një dyluftim homerik: një kapadai turk kërkoi të matej me atë më
trimin e Shqiptarëvet. I dolli përballë Zaharia Gropa dhe, pas një përpjekjeje t'ashpër,
e shtriu të vdekur Anadollakun. Atëhere Moisiu, për të ngritur moralin e ushtërisë
turke, dolli përpara dhe ftoi në dyluftim Skënderben. Ky iu lëshua drejt për t'ia
plotësuar dëshirën, megjithëse rrethi i tij u përpoq t'a ndalonte. Por Moisiu, kur pa
Skënderben përballë, nga turpi ose nga frika, s'mundi të qëndronte, i këtheu frerin
kalit dhe u tërhoq me vrap në mes të talljevet dhe vërshëllimavet t'ushtërisë shqiptare.
Një rrebesh i fortë e ndaloi atë ditë betejën, e cila u zhvillua të nesërmen, më 19 Maj,
në fushën e Oranikut. Moisiu luftoi si i tërbuar, por megjithatë ushtëria e tij u dërrmua
plotësisht duke lënë 10.000 të vrarë e të plagosur.

Pas kësaj disfate, Moisiu, i penduar, erdhi e i kërkoi ndjesë Skënderbeut, i cili e fali, ia
këtheu prapë pasurinë edhe i dha shkallën që kishte pasur n'ushtëri. Pastaj Moisiu
shërbeu me besnikëri deri në fund nën urdhërat e Skënderbeut.

Në verën e atij viti, Sulltan Mehmeti II ndërmori një fushatë të madhe kundër
Hungarisë, por ushtëria e tij u dërrmua prej Gjon Huniadit, përpara Belgradit, më 14
Korrik 1456. Kjo fitore e Hungarezëvet pati një oshëtimë të madhe n'Evropë, se
thuhej që ushtëria turke la përmbi 20.000 të vrarë dhe humbi të tërë artilerinë e saj.
Skënderbeu i dërgoi përgëzimet e tija Gjon Huniadit, por ai u sëmur dhe vdiq pak ditë
pas fitores, në kulmin e lavdisë.
Në Tetor të vitit 1456, një tjetër trathëti ngjau në radhët e Shqiptarëvet. Gjergj Stres-
Balsha, nip motre i Skënderbeut, iu lëshoi Turqve kështjellën e Modricës kundrejt një
shume të hollash. Që të dukej sikur kështjella ra nga moskujdesja, ai bashkë me të
gjithë garnizonin dolli për gjah në një ditë të caktuar, duke i lënë portat hapur, dhe
Turqit hynë brenda pa derdhur gjak. Gjergji me të vëllanë, Gjokë Stres-Balshën, u
arrestuan dhe u dërguan në burg, në Napoli.

Por trathëtia arriti kulmin më 1457, kur Hamzë Kastrioti, nipi dhe bashkëpunëtori m'i
afërt i Skënderbeut, u hodh nga anë e Turqvet. Hamza ishte djali i vëllajt më të madh
të Skënderbeut dhe i një zonjë turke, e cila jetonte akoma në Turqi. Që në fillim të
kryengritjes, Hamza pat shërbyer pranë t'ungjit si krahu i djathtë i tij. Ishte i zgjuar, i
zoti, trim dhe dinte të fitonte zemrën e ushtarëvet. Skënderbeu i pat besuar kumanda të
rëndësishme, dhe ai qe treguar në lartësinë e duhur. Por kishte ca kohë që ankohej
kundrejt t'ungjit sepse ky nuk ia shpërblente shërbimet aq sa vlenin ose nuk i pat
dhënë pjesën e principatës që i takonte. Përsa kohë që Skënderbeu ishte i pamartuar,
Hamza shpresonte të mbetej trashëgimtari i tij. Por kur ai u martua dhe sidomos kur i
lindi një djalë, më 1456, Hamza humbi çdo shpresë për të trashëguar principatën e
Kastriotëvet. I shtytur ndoshta edhe prej Venetikut dhe i këshilluar prej s'ëmës, e cila
kishte ardhur t'a shihte, Hamza kapërceu fshehtazi kufirin me grua e fëmijë dhe shkoi
në Stamboll ku u vu në shërbim të Sulltanit.

Kjo ishte një nga ngjarjet më fatkeqe që iu përplasnë mbi krye Skënderbeut, sepse
këtë radhë trathëtari ishte nga gjaku i Kastriotëvet, pat qënë bashkëpunëtori m'i
ngushtë i tij dhe ia njihte më së miri strategjinë dhe manevrimet taktike.

Në Korrik të vitit 1457, Hamzë Kastrioti hyri në Shqipëri me një ushtëri turke prej lart
nga 50.000 vetash, shumica kalorës, nën kumandën e Isak Bej Evrenozit1, i cili ishte i
provuar në luftën kundër Shqiptarëvet. Kumandari turk kishte urdhër të këshillohej
për çdo punë me Hamzën, të cilin Sulltani e kishte emëruar sundimtar të Krujës.

Këtë radhë duhej që Skënderbeu të përdorte një strategji të re, një plan të pazbuluar
deri atëhere, sepse Hamza ia njihte mirë mënyrat e taktikës dhe të strategjisë, e njihte
mirë vendin dhe ushtërinë shqiptare. Fuqia e Skënderbeut arrinte në 12.000 veta.
Kërkoi ndihmën e aliatëvet. Krerët shqiptarë i dërguan nja 5.000 ushtarë. Papa Kalisti
III i çoi ca ushqime dhe municione. Alfonsi i Napolit s'mundi t'a ndihmonte.

Hamza e këshilloi kumandarin turk se duhej çfarosur ushtëria shqiptare përjashta


kështjellavet dhe se ishte e kotë që të rrethohej Kruja nëqoftëse Skënderbeu me fuqinë
kryesore të tij do të mbetej prapa krahëvet. Kështu ushtëria turke kaloi prej Dibre në
Mat duke ndjekur Skënderben, i cili bëri sikur u trëmb dhe tërhiqej. Më në fund dha
përshtypjen se ushtëria e tij u shpartallua dhe se ai po vinte rreth për të shpëtuar
vehten. Kjo manevër e tij u besua si e vërtetë sepse, më 31 Korrik, kumandari i
Venetikut në Durrës, Marko Diedo, lajmëronte dogjin e Republikës që Skënderbeu po
endej malevet për të shpëtuar kokën, i braktisur prej gjithë krerëvet të cilët kishin
shkuar të bashkohëshin me Turkun. Tekembramja, këtë manevër e besuan, si duket,
edhe Hamzë Kastrioti me Isak Bej Evrenozin, të cilët s'po e ndeshnin gjëkundi
ushtërinë shqiptare. Turqit zbritën në bregun e lumit të Matit dhe e vendosën kampin
në fushën e Albulenës, afër Milotit, në perëndim të malit të Tumenishtit. Skënderbeu e
kishte fshehur ushtërinë e tij rreth këtij mali dhe s'po jepte shënja gjëkundi. Si kaluan
ca javë pa ngjarë gjëkafshë, disiplina u çlirua n'ushtërinë turke, rojet u çkujdesën,
sidomos ditën, në kohën e vapës, ku s'parashihej asnjë rrezik; disa flinin, disa
shtrihëshin hijevet, kuajt kullosnin të lirë, kumandarët bisedonin nëse duhej të prisnin
akoma apo t'i vërsulëshin Krujës.

Por ditën e 7 Shtatorit, Skënderbeu e ndau ushtërinë e tij në tri pjesë dhe i goditi
Turqit nga tri anë të ndryshme, mu në piskun e vapës kur ata nuk e prisnin. Sulmi i tij
qe aq i rrufeshëm dhe aq i papritur, saqë Turqit nuk patën kohë të formonin rreshtat as
t'organizonin njësitë e tyre për një qëndresë të rregullt. Prandaj në fushën e Albulenës
u bë kërdia, ku thuhet se mbetën 20.000 Turq të vrarë. Ata që mundën të shpëtonin
iknë nga syt këmbët, pa kumandë dhe pa rregull. I tërë kampi i ushtërisë turke megjith
tëndën e kryekumandarit mbet në duart e Shqiptarëvet. Midis 1.500 robërve ishte edhe
Hamzë Kastrioti vetë, të cilin e zuri të gjallë Zaharia Gropa dhe ia pruri të lidhur
Skënderbeut. Plaçkat ishin të panumërta. Kuaj u kapën me mijëra. Në tëndën e
kryekumandarit, Skënderbeu gjeti një shumë të madhe të hollash, gjysmën e të cilavet
ia dha Moisi Golemit për zotësinë dhe trimërinë e jashtëzakonshme që ky tregoi atë
ditë. Moisiu ua shpërndau ushtarëvet.

Hamzë Kastriotin Skënderbeu e dërgoi të burgosur në Napoli, ashtu siç kishte bërë për
Gjergj dhe Gjokë Stres-Balshajt. Me atë i dërgoi Alfonsit si dhuratë disa kuaj e
flamure të zënë si edhe tendën e kryekumandarit turk.

Fitorja e Albulenës ishte një nga më të plotat dhe më të shkëlqyerat që pat korrur
Skënderbeu. Buja e saj n'Evropë qe e madhe. Papa Kalisti III e lajmëroi me gëzim në
të gjitha anët dhe, në Dhjetor t'atij viti, i dha Skënderbeut titullin "Kapiten i
Përgjithshëm i Selisë së Shënjtë".

Pas vdekjes së Gjon Huniadit, Skënderbeu dhe Shqipëria mbetëshin si mburoja m'e
fortë e Evropës kundrejt Osmanllinjvet. Po për sa kohë akoma do të vazhdonte kjo
qëndresë? Kalorësi anglez John of Newport, i cili shërbente si vullnetar n'ushtërinë e
Skënderbeut, shkruante pas vdekjes së Huniadit: "Invadimi i Evropës është i sigurtë,
se s'ka fuqi tjetër që mund t'a bëjë këtë qëndresë po të bjerë edhe fortesa shqiptare".
1
Barleti e quan Isak Pasha. Tivarasi (i cili, sipas kritikës së sotshme, është një çpikje e Biemmi-t) e quan Daut.
Fan Noli e quan Isak Daut Pasha. Por ka shumë të ngjarë të ketë qënë Isak Bej Evrenozi, që pat bërë kërdinë e
Beratit dy vjet më parë dhe që pat shtypur kryengritjen e Gjon Kastriotit më 1430.

XIV
Fushata e Skënderbeut n'Itali për t'i siguruar fronin mbretit Ferdinand të Napolit është
një epizod jo më pak i lavdishëm i historisë së tij. Alfonsi V i Aragonës kishte vdekur
më 1458. Djali i tij natyror, Ferdinandi, gjeti kundërshtime për të trashëguar fronin e
Napolit, të cilin, përpara Alfonsit, e kishte pasur dinastia frënge e Angjevinëvet.
Trashëgimtari i kësaj dinastie, princi René d'Anjou, i ndihmuar nga mbreti i Francës,
Karli VII, u çua të kërkonte të drejtat e vjetra mbi fronin e Napolit. U bashkuan me të
pjesa m'e madhe e banorëvet t'Italisë jugore duke u ngritur kundër Ferdinandit.
Kryengritësit udhëhiqëshin nga princi i Tarantos, Giovanni Antonio Orsini, nga Duka
i Kalabrisë, Jean d'Anjou, i biri i princit René, dhe nga kondottieri i famshëm
Giacomo Piccinino. Kjo grindje e ndau Italinë në dy kampe. Në fillim, u tregua
kundër Ferdinandit edhe Papa Kalisti III; por ky vdiq shpejt, dhe Piu II, që i zuri
vendin, mori anën e mbretit të Napolit. Shtëpinë e Aragonës e përkrahte edhe Duka i
Milanos, Francesco Sforza, i cili kishte qënë aliat i Alfonsit V. Kurse Venetiku dhe
Firenca qëndruan asnjanës.

Natyrisht, Skënderbeu kishte interes që në fronin e Napolit të mbetej Shtëpia e


Aragonës, me të cilën kishte miqësi dhe aliancë. Aq më fort kur këtu bashkohej edhe
politika e Papës.

Por në të parat përpjekje me armë, sidomos në betejën që u bë në Sarno më 7 Korrik


1460, Ferdinandi u thye keqas. Një pjesë e banorëvet dhe e qytetevet që kishin qënë
me të deri atëhere, e lanë dhe u bashkuan me anën kundërshtare. Në këtë kohë i erdhi
ndihma e parë e Skënderbeut dhe, një vit më vonë, u hodh n'Itali ai vetë, i cili e këtheu
krejt gjendjen.

Në Shtator të vitit 1460, Skënderbeu i dërgoi Ferdinandit një trupë prej nja 500
kalorësish të zgjedhur, ndoshta edhe disa këmbësorë, nën kumandën e Gjon Stres
Balshës. Zbritjen e këtyre n'Itali ia lajmëron nga Napoli Dukës së Milanos ambasadori
i tij, Antonio Da Trezzo, me një letër të datës 1 Tetor 1460. Kjo kalorësi, megjithëse e
pakët në numër, e përmirësoi disi gjendjen e Ferdinandit dhe la nam nga shpejtësia e
lëvizjevet. Kuajt e tyre kanë vrap të madh, tregon da Trezzo, dhe bëjnë me lehtësi 30 a
40 mila kur kalorësit italianë mezi bëjnë 10 a 12. Duket se me ndihmën e këtyre pak
Shqiptarëve Ferdinandi i ripushtoi tokat nga Capua në Benevento, në javën e fundit të
Tetorit, dhe mposhti disa baronë kryengritës. Se sa e shqetësoi anën kundërshtare kjo
ndihmë e vogël Shqiptarësh dhe frika se mund të vinin ndihma të tjera siç po flitej,
kuptohet nga letra që princi i Tarantos, Antonio Orsini, m'i fuqishmi nga armiqtë e
Ferdinandit, i dërgonte Skënderbeut, më datën 10 Tetor 1460. Me fjalë të bukura
lavdërimi dhe duke e quajtur "mik shumë të shtrenjtë", Antonio Orsini mundohet t'i
mbushi mendjen Skënderbeut se çështja e Ferdinandit ishte e humbur, se shumicën e
krerëvet dhe të popullit ai i kishte kundër, se ndihma e Shqiptarëvet s'mund t'a
ndryshonte fatin e tij, se Skënderbeu ato forca, në vend që t'i rrezikonte kot, do të
bënte më mirë t'i përdorte në luftën kundër Turqvet, se s'ishte e drejtë që të dërgonte
njerëz për të dëmtuar tokat e këtij dhe të "mbretit" René d'Anjou, nga të cilët jo vetëm
që s'kishte parë kurrë ndonjë të keqe po edhe mund të shpresonte përkrahje e përfitime
më tepër nga ç'kish pasur prej mbretit t'Aragonës etj.

E kemi përmendur më sipër përgjigjen që Skënderbeu i dha princit të Tarantos më 31


Tetor 1460. E kujton me fjalë të përmalluara Alfonsin e Aragonës dhe ndihmën që ai i
pat dhënë; thotë se, për detyrë mirënjohjeje, do t'a mpronte të birin e atij, me sa fuqi
që kishte, ashtu siç ia donte nderi, dhe s'desh të dinte për dinastinë frënge as t'a njihte
ndryshe veçse armike. E padit princin e Tarantos për trathëtinë kundrejt Ferdinandit
dhe si shtytës të kryengritjes. I përmend se, me një ushtëri të vogël, ai pat mundur
përpara Krujës Sulltanin e Turqve, i cili kishte një fuqi shumë më të madhe nga ajo e
armiqve të Ferdinandit; se Shqiptarët quhëshin Epirotë, dhe se të Parët e tyre kishin
zbritur edhe tjetër herë n'Itali, ku patën bërë me Romakët luftime të mëdha duke dalë
me nder; se, për të vazhduar luftën kundër Turqvet, ai nuk kishte nevojë për këshillat
e princit të Tarantos, por ky do të bënte më mirë t'i sillte fuqitë e tija kundër atyre
armiqve të përbashkët në vend që të ngrinte krye kundër Ferdinandit etj.

Pas një përmirësimi të përkohshëm, gjendja e Ferdinandit u keqësua përsëri në verën e


vitit 1461. Kështu që vajtja e Skënderbeut n'Itali u bë m'e nevojshme se kurrë. Prej
vitit 1458, kryetrimi shqiptar i kishte ndrequr marrëdhëniet me Venetikun. Por duhej
të siguronte vendin prej rrezikut turk dhe të pajtohej me Dukagjinët, të cilët këtë radhë
ishin lidhur me Turqit. Iu vu punës pa humbur kohë dhe me durimin e tij të
jashtëzakonshëm i rregulloi këto çështje njërën pas tjetrës. Pajtimi me Dukagjinët
ishte i vështirë. Por me një letër të Papës Piu II i cili i kërcënonte me çkishërim,
kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, i detyroi Dukagjinët t'i këpusnin lidhjet me
Turqit dhe t'afrohëshin përsëri me Skënderben. Ky pastaj, në prendverën e vitit 1461,
bëri me Sulltanin një armëpushim për gjashtë muaj, ose ndoshta për një vit. E i dërgoi
mandej një ambasador Ferdinandit për t'a lajmëruar se ishte gati t'i vinte në ndihmë
me 1.000 kalorës dhe 2.000 këmbësorë. Këtë lajm ia njoftojnë Dukës së Milanos me
shumë gëzim Da Trezzo, me një letër të datës 12 Qërshor 1461, dhe vetë mbreti
Ferdinand, me një letër të 21 Korrikut.
Në Gusht 1461, Skënderbeu, me një ushtëri prej 3.000 vetash, duke pasur me vehte
Moisi Golemin dhe Zaharia Gropën, u nis për n'Itali. Kaloi nga Raguza, ku u prit me
nderime të mëdha prej popullit dhe prej zyrtarëve të Republikës, një pjesë e mirë e të
cilëve ishin Shqiptarë. Më 24 Gusht, iu bë një pritje madhështore prej Senatit të
Raguzës, i cili i dorëzoi edhe një ndihmë në të holla për fushatën e tij n'Itali.

Skënderbeu zbriti në Pulje në një kohë kur gjendja e Ferdinandit ishte krejt e
dëshpëruar. Përveç Napolit, i kishin mbetur vetëm dy fortesa, e Barlettës dhe e Tranit,
po edhe kjo e fundit ishte në dorën e një trathëtari. Ferdinandi vetë ndodhej i rrethuar
në Barletta, ku, sipas një historiani sypamës, Giovanni Pontano, s'i mbetej tjetër veçse
t'ikte me turp nga anë e detit për të shpëtuar kokën, ose të hidhej i dëshpëruar kundër
armiqve duke rrezikuar qind për qind vetvehten, ose të dorëzohej i gjallë. Ardhja e
Skënderbeut dhe e ushtërisë shqiptare e këtheu krejt gjendjen në favor të Ferdinandit.
Porsa zbritën trupat e para, armiqtë filluan të tërhiqëshin, siç i shkruan vetë Ferdinandi
së motrës, Isabella, më 25 të Gushtit 1461. Shqiptarët e shtrënguan kontin Piccinino
t'a lëshonte rrethimin e Barlettës dhe të zmbrapsej sa më tutje. Ferdinandi e priti
Skënderben si çlironjës duke i shfaqur mirënjohjen më të thellë. Armiqtë u tërhoqën
në drejtim të Lukanisë, rrugët u hapën, dhe Ferdinandi u nis më 5 të Shtatorit për në
San Bartolomeo in Galdo, ku do të bashkohej me fuqinë që sillte i vëllaj i Dukës së
Milanos, Aleksandër Sforza. Skënderbeu mori në dorëzim Barlettën dhe, prej kësaj
baze, me goditjet e rrufeshme të kalorësisë së lehtë shqiptare e shkatërroi kalorësinë e
rëndë të princit të Tarantos dhe të kontit Piccinino duke i ndjekur këmba këmbës dhe
duke kallur tmerrin në radhët e tyre. Në pak kohë, e shtriu kontrollin e tij mbi të tërë
Puljen. Siç thotë Giovanni Pontano, Skënderbeu i përmbysi të gjitha planet dhe
manevrat e armiqve të Ferdinandit, edhe e mbushi Italinë me admirim dhe me famën e
emrit të tij të madh.

Auktorët e kohës i shpjegojnë sukseset e Shqiptarëvet nga se këta, të regjur në betejat


kundër Turqve, kishin një tjetër mënyrë luftimi, sulmonin me kuaj të shkathët e të
lehtë, me një shpejtësi lëvizjesh të jashtëzakonshme, kundër kalorësisë së rëndë
italiane që ishte e ngarkuar me hekurishte të kota.

Kumandari i kështjellës së Tranit, Antonio Infusado ose Foxa, i qe çpabesur mbretit të


tij dhe ish lidhur me princin e Tarantos duke u bërë një armik i rrezikshëm. Ferdinandi
qe përpjekur me të gjitha mënyrat për ta sjellë n'udhë, po ishte e pamundur.
Skënderbeu e mori përsipër t'a kryente atë punë pas mënyrës së tij. E thirri Infusadon
për një bashkëfjalim, e zuri të gjallë me gjithë rojet që kishte, e lidhi me hekura dhe e
shtrëngoi t'ia dorëzonte fortesën. Kështu shpëtoi edhe Trani nga thonjtë e armiqvet.

Në katër muaj, Skënderbeu e ndryshoi krejtësisht gjendjen n'Italinë jugore. Ferdinandi


e mori situatën në dorë. Armiqtë e tij i humbën shpresat. Disa nga banorët kryengritës
zunë t'i shtrohëshin mbretit njëri pas tjetrit. Princi i Tarantos, i dërrmuar prej
Skënderbeut, kërkoi paqen.

I lajmëruar prej së shoqes Donika se Turqit kishin filluar të lëviznin në kufi,


Skënderbeu u nis prej Italie në fillim të Shkurtit 1462. Më 6 të atij muaji arriu në
Raguzë, ku u prit përsëri me nderime të mëdha, e prej andej zbriti në Shqipëri.

Siç shihet, Skënderbeu nuk mori pjesë në betejën përfundimtare që u bë në Troja, më


18 Gusht 1462, ku Ferdinandi iu dha grushtin e fundit armiqve të tij që
kumandohëshin nga Duka Jean d'Anjou dhe nga kondottieri Piccinino. Por këtë triumf
të Ferdinandit e pregatiti Skënderbeu gjatë atyre katër muajve që luftoi n'Itali. Ky e
këtheu krejt gjendjen në favor të mbretit të Napolit, ky i mposhti baronët, i shpartalloi
fuqitë e princit të Tarantos, shtiri në dorë kështjellën e Tranit, ua theu guximin
armiqvet, e shpëtoi Ferdinandin nga një humbje e sigurtë dhe e bëri të zotin e situatës.
Fitorja e fundit që mbreti i Napolit pati në Troja, qe pregatitur prej Skënderbeut.
Dëshminë më të mirë mbi këtë të vërtetë na e jep vetë Ferdinandi, i cili i mbeti
mirënjohës për jetë Skënderbeut, edhe e quante "i dashur si atë, i shkëlqyer e
shpirtmadh". Pas vdekjes së herojt, mori nën mprojtje të venë, Donikën, dhe të birin,
Gjonin, duke i ndihmuar dhe duke i rrethuar me të gjitha nderimet.

Sipas disa dokumentave më të reja, Skënderbeu ka bërë edhe një udhëtim tjetër në
Napoli, në Prill të vitit 1464. Këtë herë i ka dhënë Ferdinandi tokat Monte San Angelo
dhe San Giovanni Rotondo, në Pulje.

XV
Si u kthye plot lavdi prej fushatës s'Italisë, Skënderbeut iu desh t'iu bënte ballë
furtunavet që po përplasëshin mbi Shqipërinë. Sulltani zu t'i dërgonte ushtëritë njërën
pas tjetrës. Venetiku, i shqetësuar nga riforcimi i miqësisë ndërmjet Skënderbeut dhe
mbretit të Napolit, rifilloi provokimet e vjetra.

Në verën e vitit 1462, tri ushtëri turke iu vërsulën Shqipërisë njëra pas tjetrës, por që
të tria u mundën prej Skënderbeut. E para, prej 30.000 vetash, u thye në grykat e
Mokrenës, më 27 Gusht 1462, dhe kumandari i saj, Hysen Beu u zu rob. E dyta, prej
18.000, u dërrmua pak ditë më vonë në fushën e Pollogut, dhe e treta, prej 40.000, në
kumandën e Karaxha Beut, u mund në muajin e Shtatorit, në Livad, afër Ohrit.

Por gjer kur do të vazhdonte kjo gjakderdhje e paprerë? Turqia ishte një perandori e
madhe me fuqi njerëzore dhe mjete ekonomike të pashterrshme. Kurse Shqipëria e
vogël ishte shkretuar dhe varfëruar anembanë. Siç thotë Gjin Muzaka
në Gjenealogjinë, forcat e Turqvet shtohëshin gjithnjë kurse ato të Shqiptarëvet
pakësohëshin. Pothuajse të tërë djemtë e rinj të Shqipërisë ishin vrarë; shumë
kapedanë dhe trima kishin dhënë jetën; s'kishin mbetur veçse ca pleq të pakët, të
lodhur të mjeruar.

Megjithë përpjekjet e Papës Piu II, ideja e një kryqëzate të përgjithshme, pas kaq
dështimesh, dukej e pabesuarshme. Shqipëria kishte nevojë për paqe pas njëzet
vjetësh lufte të paprerë. Nga ana tjetër, Sulltan Mehmeti II, për t'a mënjanuar
Shqipërinë prej ndonjë bashkimi evropian dhe për t'ia hequr kryqëzatës shtyllën më të
fortë, i propozoi paqen Skënderbeut. Ky, i detyruar nga rrethanat, e pranoi, dhe paqja
me Turqinë u nënshkrua në Shkup, më 27 të Prillit 1463.

Por paqja shqiptaro-turke nuk u prit mirë prej Papës as prej Republikës së Venetikut.
Piu II përpiqej gjithnjë për organizimin e kryqëzatës, në të cilën Skënderbeu duhej
t'ishte figura kryesore. Kurse Venetiku zu të shqetësohej megjithë mend tani nga
zgjerimi i fuqisë ottomane. Në Maj të vitit 1463, e tërë Bosnja u pushtua prej Turqvet,
të cilët kërcënonin tash Raguzën dhe brigjet e Dalmacisë. Po n'atë prendverë,
kumandari turk Omer Pasha u lëshua kundër zotërimevet të Venetikut n'Argolidë dhe
shtiri në dorë qytetin e Argos. Kështu paqja me Shqipërinë po i sillte pemë të mira
Mehmetit II.

Venetiku dhe Papa zunë të bënin një shtytje të madhe mbi Skënderben që ta prishte
paqen me Turqit. S'do mend të kuptohet se Sulltan Mehmeti II, duke i propozuar
paqen Skënderbeut pa kërkuar asgjë tjetër prej tij veçse të qëndronte në cakun e vet,
desh t'i kishte duart e lira për t'i thyer brinjët Venetikut dhe Italisë. E kishte kuptuar se
Skënderbeu ishte një kockë shumë e fortë për t'u thyer - një kockë që donte punë dhe
nge - prandaj vendosi t'a linte përkohësisht mënjanë dhe të vazhdonte përparimin në
drejtime të tjera. Venetiku e ndjeu gjallë këtë herë dhe përdori të gjithë dhelpërinë e
zakonshme për t'a shtytur Skënderben që t'a prishte paqen dhe ta këthente përsëri
rrebeshin turk kundrejt Shqipërisë. Se sa e ndjente tani Republika mungesën e
Skënderbeut, kuptohet nga një letër që Senati i saj pregatiti për Papën, më 9 Shtator
1463, dhe nga shpjegimet që i dha legatit apostolik më 18 të Shtatorit. Në të dy rastet,
theksohet rëndësia që kishte Skënderbeu për mprojtjen e Italisë dhe se shmangia e tij
nga balli i luftës do të shkaktonte pa tjetër zbritjen e Turqve n'Itali. Republika
shpreson se e ka tërhequr kryetrimin shqiptar nga paqja me Turqit, por i lutet Papës që
të bëjë ç'është e mundur për të vënë në lëvizje shtete e princa t'Italisë (deri Dukën e
Burgonjës), në mënyrë që Skënderbeu të ndihmohej me fuqi të mëdha ushtarake.
Sepse ai ishte i vetëmi burrë që, sikur të ndihmohej siç duhej, do t'i bënte jo veç luftën
më të rreptë armikut, po edhe shpresohej se mund ta përzinte fare nga Evropa.
Skënderbeu ra në kurth të politikës dinake të Venetikut dhe t'enthusiazmit të Papës
Piu II, plani i të cilit, për organizimin e kryqëzatës, ishte vetëm një dëshirë e zjarrtë
dhe jo një mendim politik i pjekur e i peshuar i një burrë-shteti. Kështu kryetrimi
shqiptar iu përgjigj Papës dhe Venetikut se ishte gati t'a prishte paqen me Turqit
nëqoftëse do të ndihmohej ushtarakisht nga Republika dhe do ta shihte t'afërt
organizimin e kryqëzatës. Më në fund dërgoi në Venetik abatin e Shën Marisë së
Rotecit për të biseduar kushtet e një aliance ushtarake kundër Turqisë. Marrëveshja u
përfundua më 20 të Gushtit 1463. Sipas këtij traktati, Skënderbeu do t'a rifillonte
luftën kundër Turqvet porsa të merrte nga Venetiku ndihmat ushtarake dhe financiare.
Sasia e këtyre ndihmave do të caktohej prej Senatit të Republikës dhe prej abatit të
Rotecit, që ishte i dërguari i Skënderbeut, dhe jo nga provizorët venetikas në Shqipëri.
Republika detyrohej të dërgonte çdo vit, prej muajit Prill deri në Qërshor, dy anije
lufte për të mprojtur bregdetin dhe popullsinë e Shqipërisë. Nëqoftëse Venetiku do të
bënte paqe me Turqit, duhej të përfshinte edhe Shqipërinë n'atë traktat. I biri i
Skënderbeut, Gjon Kastrioti, do të pranohej si qytetar në radhën e bujarëve të
Venetikut, dhe Skënderbeu vetë, në rast rreziku, do të gjente këtu një strehë të sigurtë
dhe do të ndihmohej për t'u rikthyer në vendin e tij. Pensioni duhej t'i paguhej
rregullisht prej Senatit.

Siç shihet, kjo aliancë me Venetikun shënon një drejtim të ri në politikën e jashtëme të
Skënderbeut. Ky i mbajti gjithnjë lidhjet e ngushta me Mbretërinë e Napolit, por desh
t'i shtrinte sigurimet e tija edhe nga ana e Republikës së Shën-Markut, e cila ishte e
para fuqi e detit n'atë kohë. Të gjithë kërcënohëshin nga i njëjti rrezik dhe, sipas
Skënderbeut, duhej t'i bashkonin fuqitë e tyre për të njëjtën mprojtje. Traktati i
kryetrimit shqiptar me Venetikun ndryshon nga ai që pat lidhur me Alfonsin V, më
1451. Ndërsa n'atë kohë Skënderbeu i nënshtrohej mbretit të Napolit duke e njohur
për kryezot, marrëveshja me Venetikun bëhet si midis dy të barabartëve.

Në të njëjtën kohë, Venetiku nënshkroi edhe me Hungarinë një aliancë kundër


Turqvet. Kështu u duk sikur fronti evropian po forcohej. Në Shqipëri, Republika
dërgoi 1.300 ushtarë dhe 2.000 dukata për shpenximet e luftës, si edhe pensionin e
vonuar të Skënderbeut. I biri i këtij, Gjoni, që ishte tetë vjeç, u emërua qytetar nderi
dhe antar i Këshillit të Lartë të bujarëvet të Venetikut. Dhe Skënderbeu u njoh prej
Republikës si kumandar i përgjithshëm i forcavet t'armatosura shqiptaro-venetikase në
Shqipëri. Më në fund, edhe Lekë Dukagjini, i cili ishte armiqësuar përsëri, u këshillua
prej Republikës që të pajtohej përgjithmonë me Skënderben, dhe prej kësaj here nuk
luajti më.

Ndërkaq, në muajin e Nëntorit 1463, Papa Piu II e shpalli zyrtarisht kryqëzatën dhe iu
bëri thirrje gjithë popujve të krishterë që të bashkohëshin. Venetiku iu përgjigj
menjëherë thirrjes së Papës. Kryepeshkopi i Durrësit filloi të shtynte Skënderben dhe
kapedanët e tjerë që të nisnin vepërimet kundër Turqvet. I gënjyer prej këtyre
pregatitjeve, të cilat, fundi i fundit, ishin zhurma n'erë, Skënderbeu i shpalli luftë
Turqisë, më 27 Nëntor 1463, dhe hyri në Maqedoni për të shkretuar pronat e Sulltanit.

Ky ishte ndoshta m'i madhi gabim politik i Skënderbeut, sikurse m'i tmerrshmi gabim
ushtarak i tij pat qënë largimi i përkohshëm nga rrethimi i Beratit dhe lënia e
kumandës në dorën e Muzakë Thopisë.

Princat e shtetet e Italisë dhe t'Evropës n'atë kohë shikonin seicili interesat e veta më
të ngushta, rivalitetet ndërmjet tyre, politikën mistrece të përfitimit në gjërat më të
vogla, dhe për njërin ose tjetrin rreziku turk ishte i nevojshëm nëqoftëse kërcënonte në
vijë të parë kundërshtarin e tij. Papa Piu II këtë provë e kishte bërë në Kongresin e
Mantovës më 1459. Po ashtu edhe këtë herë, princat dhe shtetet u tërhoqën njëri pas
tjetrit. Mbreti Ferdinand i Napolit nuk desh të merrte pjesë. Duke vënë si shkak
mungesën e atij, u tërhoq edhe Duka i Burgonjës. Duka i Milanos nuk mund t'afrohej
në një lidhje ku ndodhej Venetiku. Kurse Firenca kish për qëllim të zëvendësonte në
tregëtinë e Lindjes Republikën e Shën-Markut, prandaj donte që kjo të thyente kokën
kundër Turqvet; e kështu me radhë. Përveç Skënderbeut nuk delte asnjë kampion për
të marrë kumandën e mprojtjes së Krishterimit dhe të "qytetërimit" evropian.
Megjithatë, planet në kartë nuk mungonin. Duke marrë dëshirën e tij për realitet, Piu
II kishte menduar edhe sesi do të copëtohej Turqia e Evropës! N'atë rast, Maqedonia
do t'i jepej Skënderbeut.

Ushtarët e kryqëzatës filluan të mblidhëshin turma turma nëpër limanet e Italisë. Ishin
ca grumbuj të çthurur, pa njësim, pa organizim, pa kumandë të përbashkët. Mbasi nuk
kish se kush t'iu printe, Papa Piu II shkoi vetë n'Ankonë e u vu në krye të tyre për t'i
sjellë gjer në Raguzë. Atje do të piqej me Skënderben, i cili do të merrte kumandën e
këtyre "trupave". Për fat të keq, Papa u sëmur dhe vdiq n'Ankonë, më 14 Gusht 1464.
Atëhere turmat e kryqëzatës u shpërndanë pa e kapërcyer Adriatikun. Dogji i
Venetikut Cristoforo Mor dhe Kardinalët mezi që prisnin për t'u kthyer andej nga
kishin ardhur. Të hollat e mbledhura për kryqëzatën ia dërguan mbretit Mathias
Korvin të Hungarisë. Kurse Skënderbeut i dërguan vetëm porosinë që të qëndronte i
fortë kundër Turkut! Kështu i mori era si një cergë merimange të gjitha planet,
ëndrrat, shpresat e thashethemet rreth kryqëzatës.

Pikërisht më 14 të Gushtit 1464, kur Papa Piu II vdiste n'Ankonë, Skënderbeu kishte
mundur, afër Ohrit, një ushtëri turke të kumanduar prej Sheremet Beut. Tani mbetej
vetëm për vetëm përballë Sulltan Mehmetit II, se nga politika dredharake dhe e pabesë
e Venetikut s'mund të pritej asgjë. Venetiku bëri aq sa e largoi prej vehtes valën e
sulmimit turk dhe e këtheu përsëri kundrejt Shqipërisë.

Thamë më sipër se Mehmeti II kishte sigurisht një plan kur i propozoi paqen
Skënderbeut: sepse shmangia e këtij e bënte të pamundur formimin e një kryqëzate;
dhe duke e lënë përkohësisht mënjanë Shqipërinë - e cila po i kushtonte shumë - fuqia
turke mund të përparonte nga anë të tjera drejt Italisë, pasi t'i thyente më parë brinjët
Venetikut. Por kur pa se Shqipëria nuk mënjanohej, dhe se pa dërrmuar më parë
Skënderben nuk mund të përparonte më tutje, Sulltani i mblodhi të gjitha forcat e
Perandorisë kundër këtij vendi, gjersa të digjte gur e dhe e t'a zhdukte me rrënjë racën
shqiptare. Prandaj prej kësaj date, lufta shqiptaro-turke hyn në fazën më të tmerrshme,
më të përgjakshme, më tragjike. Për ta shkretuar vendin me zjarr e me hekur, për t'ia
shterrur burimet ekonomike dhe çdo forcë qëndrese njerëzore, Sulltan Mehmeti II ia
ngarkoi kumandën e shpeditavet kundrejt Shqipërisë një renegati shqiptar, Ballaban
Pashës, që çmohej si një nga gjeneralët më të zotë të perandorisë s'Osmanllinjvet.
Ishte i biri i një bariu nga katundi Badera i Matit, e kishin marrë Turqit të vogël dhe
ishte rritur në radhët e jeniçerëvet. Pat qënë i pari që i hyri Stambollit brenda, më
1453.

Sikur Skënderbeu të mos e kishte prishur paqen, por t'a linte Venetikun dhe tërë
Italinë sa t'a ndjenin në mëlçi thikën e Turkut, nuk besohet që Sulltani t'a sulmonte
Shqipërinë për dy-tre vjet të paktën. Pastaj kohë për t'u vrarë me Turkun kishte
gjithmonë. Por kishte edhe një gjysëm-shprese që Italia, kur t'i ndjente thundrat e
jeniçerëvet mbi tokën e saja, mund të zgjuhej, të vrumulisej, të nxirte forca të reja.
Sidoqoftë, për Shqipërinë nuk do të bëhej më keq se sa u bë. Skënderbeu e dinte prej
njëzet vjetëve eksperiencë se nga Venetiku dhe Italia s'delte gjë me të mirë. Dhe
s'dolli pothuajse asgjë kur vetë Mehmeti II, në krye të një ushtërie prej 150.000 vetash
dhe me artilerinë më të rëndë të kohës, erdhi dy vjet me radhë në Shqipëri për t'a bërë
vendin që të mos mbinte as bar. Skënderbeu mundi t'a përballonte, por me eshtrat e
Shqiptarëvet. Ndihmat e Venetikut dhe t'Italisë ishin për të mos u zënë me gojë.
Atëhere përse e prishi paqen me Sulltanin dhe ç'kujtoi se do të fitonte nga Italia?

Në Prill të vitit 1465, arriti Ballabani me një ushtëri prej 18.000 vetash. Që në
manevrat e para, u duk se ishte një mjeshtër i luftës. Ecte me të gjitha masat e
sigurimit për të mos rënë më ndonjë kurth. U mundua të kapte ose të blinte pararojet e
ushtrisë shqiptare për t'a zënë këtë në befasi. Skënderbeu e sulmoi dhe e mundi në
fushën e Valkalisë, afër Ohrit. Por Ballabani dijti të tërhiqej pa humbje të mëdha e
sidomos të kapte të gjallë tetë nga kumandarët më të mirë të Skënderbeut, nër të cilët
edhe Moisi Golemin, me disa qindra ushtarë. Këta u shtynë tutje duke ndjekur
ushtërinë e thyer turke dhe u futën në një grykë ku Ballabani iu kishte vënë pusinë. U
përpoqën si burra t'a çanin rrugën, por ishte e pamundur dhe ranë pothuajse të gjithë të
plagosur. Skënderbeu dërgoi menjëherë lajmëtarë se ishte gati të paguante çfarëdo
çmimi për lirimin e tyre ose t'i shkëmbente me çfarëdo numri robërish turq, por
Ballabani nuk dëgjoi kurrsesi dhe ia shpuri Sulltanit në Stamboll. Atje iu bënë torturat
më barbare gjatë pesëmbëdhjetë ditëve duke i rrjepur të gjallë. Ata iu qëndruan
mundimevet me një trimëri të pashembullt deri sa vdiqnë. Kjo ngjarje e hidhëroi tërë
Shqipërinë dhe e bëri ushtërinë e Skënderbeut të pamëshirshme kundrejt Turqvet.

Në Qërshor t'atij viti, Ballaban Pasha erdhi për të dytën herë me një ushtëri të fortë,
hyri nga anë e Ohrit dhe iu drejtua Dibrës. Thuhet se, sipas zakonit t'asaj kohe, i
dërgoi Skënderbeut disa dhurata të çmuara. Ndonëse ky radhën e parë nuk i kishte
pranuar dhuratat e një trathëtari, këtë herë i mbajti dhe i dërgoi nga anë e tij një krrabë
dhe një kazmë për t'i kujtuar origjinën si bujk e bari i principatës së Kastriotëvet. I
fyer keq, Ballabani u tërbua më tepër akoma kundër Skënderbeut. Duke blerë, si
duket, disa nga rojet, u fut tinëz për t'a zënë ushtërinë shqiptare në gjumë përpara
mëngjezit. Po Skënderbeu kish mbetur zgjuar dhe i vëzhgonte vetë lëvizjet e armikut.
Me të ndier që Turqit po afrohëshin, e ngriti në këmbë ushtërinë e tij dhe e vuri në
rregull për betejë. Kështu Ballabani u gjend përpara një befasie dhe desh të zmbrapsej.
Por Skënderbeu, pa humbur kohë, i mori krahët dhe e shtrëngoi të jepte betejë. Këtë
radhë ushtëria turke u dërrmua krejt, n'afërsitë e Oranikut, dhe i tërë kampi i saj mbeti
në duart e Shqiptarëvet.

Por në Korrik t'atij viti, Ballabani iu vërsul Shqipërisë për të tretën herë, me një
ushtëri prej 20.000 vetash, dhe e nguli kampin afër Sfetigradit. Skënderbeu e rrethoi
nga disa anë të ndryshme dhe e goditi vrullshëm, në një përpjekje aq t'ashpër sa desh
humbi jetën ai vetë në dy raste. Duke u hedhur si luani midis Turqve, u rrethua prej
tyre dhe njëri e kapi për qafe me tërë forcën për t'a rrëzuar nga kali; por një ushtar i
gardës, që ndodhi pranë, e vrau Anadollakun. Pak më vonë, ndërsa luftonte në mes
t'armiqvet më të dëndur, siç thotë Barleti, kali i tij u plagos si duket ose u ndesh pas
një trungu edhe u përmbys bashkë me të. Skënderbeu përpoqi rëndë kokën dhe krahun
e djathtë, edhe mbeti disa çaste si i zalisur. Turqit kujtuan se mbaroi edhe u turrën mbi
të që t'i merrnin kokën. Por garda e rrethoi si një mburojë çeliku dhe një luftë
homerike u bë rreth trupit të tij. Më në fund, Skënderbeu e mblodhi vehten, u ngrit, i
hipi një kali tjetër edhe u vërsul mbi armiqtë me hov të përsëritur duke iu kallur
tmerrin. Kjo përleshje qe një nga më të rreptat, ku të dy anët luftuan me tërbim. Turqit
u thyen keqas duke lënë shumë të vrarë, të plagosur dhe robër. Ballabani mezi shpëtoi
me një pakicë. Po edhe shqiptarët patën humbje të rënda në këto tri beteja. Rrallë herë
iu kishte qëlluar t'i paguanin kaq shtrenjtë fitoret e tyre.

Në Gusht t'atij viti, Sulltan Mehmeti dërgoi dy ushtëri kundër Shqipërisë, Ballaban
Pashën me 24.000, i cili vinte për të katërtën herë nga anë e Maqedonisë, dhe Jakup
Arnautin me 16.000, që vinte prej Epirit dhe hyri nga anë e Beratit. Qëllimi i dy
ushtërive turke ishte që t'a vinin Skënderben midis dy zjarresh. Njëra nga lindja, tjetra
nga juga, të dyja i drejtohëshin Krujës. Në Stamboll besohej se këtë herë Skënderbeu
do të mbaronte. Por ky, i patronditur, me një ushtëri shqiptare prej 12.000 vetash rendi
më parë kundër Ballabanit. E rrethoi, në fushën e Valkalisë, e shtrëngoi të jepte betejë
dhe e dërrmoi plotësisht. Pas kësaj fitorje të përgjakshme, i erdhi lajmi se Jakup
Arnauti po i qasej Tiranës. Skënderbeu u nis me të shpejtë kundër kësaj ushtërie të
dytë, e sulmoi edhe e theu në fushën e Kasharit duke vrarë me dorën e tij edhe Jakup
Arnautin. Në këto dy beteja mbetën shumë armiq të vdekur.

Pas humbjes së gjithë këtyre ushtërive, Sulltan Mehmeti II vendosi të vinte vetë në
Shqipëri me të tëra forcat e Perandorisë Turke. Në Qërshor të vitit 1466, në krye të një
ushtërie prej lart nga 150.000, erdhi nga anë e Maqedonisë dhe, duke zbritur luginën e
Shkumbinit, arriti përpara Krujës. Përveç trupavet të jeniçerëvet, kishte sjellë të gjitha
fuqitë e Anadollit dhe të Rumelisë. Kishte vendosur këtë radhë të mos linte gjë të
gjallë në Shqipëri, as njerëz, as kafshë, as bimë, gjersa t'a shuante me rrënjë qëndresën
shqiptare. Megjithëse ishin vrarë e dërrmuar, megjithëse nuk kishte mbetur pëllëmbë
toke e papërgjakur, Shqiptarët treguan edhe këtë herë një shpirt heroizmi që i ka të
rrallë shembujt në historinë e njerëzisë. Pa bukë, pa strehë, pa mjete, ata i lanë fushat e
fshatrat edhe u tërhoqën malevet, ku zinin grykat e ngushta për t'u mprojtur gjer në
vdekje kundër Turqvet.

Skënderbeu, edhe këtë herë, la në kështjellën e Krujës një fuqi prej 4.000 vetash, nën
kumandën e Tanush Thopisë, kurse vetë qëndroi jashtë me 8.000 ushtarë, shumica
kalorës, duke pasur si bazë malin e Tumenishtit. Kishte lënë garnizone me një sasi
ushqimesh dhe municionesh në të gjitha fortesat. Iu kishte bërë thirrje për ndihmë
Romës, Napolit, Venetikut, Raguzës dhe deri Hungarisë. Por nga të gjitha anët i
erdhën pothuajse vetëm fjalë të mira. S'i mbetej tjetër shpresë veçse mbështetja e
popullit shqiptar, i cili u tregua i lidhur si shkëmb rreth tij.

Në këtë rrethim të dytë të Krujës, Skënderbeu ndoqi të njëjtën strategji dhe të njëjtat
mënyra taktike si në rrethimin e parë. Mehmeti II, që kishte me vehte edhe Ballaban
Pashën, me një pjesë t'ushtërisë shtrëngoi rrethimin e qytetit dhe pjesën tjetër e
përdori për t'u mprojtur kundrejt goditjevet të Skënderbeut dhe për të ndjekur çetat
shqiptare që iu binin Turqvet prapa krahëvet. E rrahu fortesën me topat më të rëndë,
provoi të hapte llagëme nën tokë dhe bëri shumë herë sulme të përgjithshme që u
prapsën me humbje të mëdha nga mprojtësit heroikë të Krujës. Skënderbeu, së
jashtëmi, s'e linte të qetë ushtërinë rrethonjëse as ditë as natë; me goditje të rrufeshme,
binte përherë si shqipe atje ku Turqit nuk e pritnin, i shkatërronte, i tmerronte, iu
priste prapavijat, iu kapte nozullimet, iu përmbyste planet dhe iu shkaktonte dëme të
mëdha. Pas dy muajsh rrethimi, Sulltan Mehmeti II, që i drejtonte vetë vepërimet
ushtarake, u bind se Kruja nuk mund të merrej veçse nga uria. Prandaj, në Gusht t'atij
viti, pushtonjësi i Stambollit u shtrëngua të largohej me turp nga fusha e Krujës, por la
aty Ballaban Pashën me 80.000 ushtarë për t'a mbajtur qytetin të rrethuar gjersa të
jepej nga uria.

Për t'i siguruar ushtërisë turke një bazë të fortë në Shqipërinë e Mesme, Mehmeti II
ndërtoi mbi gërmadhat e Valmit të vjetër, në luginën e Shkumbinit, një fortesë të re të
cilën e quajti Elbasan. Këtë e bëri njëkohësisht edhe si qendër sanxhaku duke lidhur
me të një pjesë të krahinavet që deri atëhere varëshin nga sanxhaku i Shqipërisë me
kryeqendër Gjirokastrën. Elbasani do t'ishte kështu e tutje baza e vepërimevet
ushtarake që do të vazhdonin kundër shtetit të Skënderbeut. Gjatë ndërtimit të
fortesës, ushtëria turke e plaçkiti dhe e shkretoi vendin rreth e rrotull duke vrarë çdo
burrë që i ra në dorë dhe duke marrë robër gra e fëmijë. Kur po largohej nga
Shqipëria, Mehmeti II pushtoi qytetin e Kidhnës, afër Drinit, dhe vrau barbarisht
20.000 burra, gra, pleq e fëmijë që ishin mbledhur aty prej fshatrave rreth e qark.
Kështu u kthye në Stamboll i ngopur me gjak, por i paqetë sepse Skënderbeu dhe
Shqiptarët qëndronin akoma.

Ballaban Pasha ndërtoi mure të jashtëm për t'u mprojtur prej sulmeve të Skënderbeut.
Kruja ndodhej në rrezik. Vendi ishte bërë gjak e shkretirë. Ngado që kaloi ushtëria e
Mehmetit II s'kishte mbetur gjë e gjallë në këmbë. Zia e bukës kërcënonte popullsinë.
Radhët e ushtërisë shqiptare ishin rralluar, djemtë e rinj ishin vrarë. Mungonin mjetet,
armët, municionet.

Skënderbeu iu pat bërë thirrje aliatëvet të Perëndimit, por s'i kishte ardhur asnjë
ndihmë e rëndësishme. Atëhere vendosi të hidhej vetë n'Itali për t'iu kërkuar ndihmë
Papës dhe mbretit të Napolit. Ky burrë i madh i Shqipërisë, figura legjendare e
shekullit, që pesë vjet më parë, i ndritur me lavdi, kish kapërcyer Adriatikun për të
vënë paqen n'Italinë jugore, po vinte tani si kalorës i thjeshtë, i veshur me petkun e
luftës, për të kërkuar ndihmën e asaj bote së cilës i qe bërë mburojë. Shpirtmadh në
vuajtje sa edhe në ngadhënjim, asnjë hije shqetësimi s'ia vrënjte vijat fisnike t'asaj
fytyre të bukur patriarku. Më 12 Dhjetor 1466, arriti në Romë, ku iu bë prej popullit
një pritje e denjë për emrin që kishte. Porsa u muar vesh ardhja e tij, një shumicë e
panumërt qytetarësh buçiti përjashta për t'a parë me sy, për t'a nderuar, për t'a
brohoritur si kryemprojtësin e Krishterimit, fama e të cilit kishte mbushur botën. Papa
Pali II e priti me shumë nderime edhe u çudit me pamjen e tij madhështore. Pastaj e
nxori përpara mbledhjes së Kardinalëvet, ku Skënderbeu tregoi rrezikun që
kërcënonte Shqipërinë dhe Italinë njëheresh, rolin që kishte lozur Shqipëria në
mprojtjen e Evropës dhe nevojën e ngutshme për ndihma. Pali II, përveç nderimevet
dhe një shpate të bekuar, nuk i dha ndonjë ndihmë të rëndësishme. Pas një muaji
bisedimesh të gjata, fatosi ynë mezi shkëputi prej financavet të Vatikanit 5.000 dukata
dhe 2.700 të tjera iu dërguan më vonë në Shqipëri.

Nga Roma, Skënderbeu shkoi në Napoli ku u prit përzemërsisht dhe me mirënjohje


prej mbretit Ferdinand. Por as ky nuk i dha ndonjë ndihmë të madhe përveç një sasie
ushqimesh e municionesh dhe 1.000 dukata.

Në fillim të Prillit 1467, Skënderbeu u kthye në Shqipëri, i bindur se s'kish ku të


pështetej veçse në forcat e popullit shqiptar, të cilit iu drejtua për të bërë theroritë e
fundit. Lek Dukagjini me kumandarin venetikas të Shkodrës kishin mbledhur një fuqi
prej malësorësh dhe prej qytetevet shqiptare që ishin nën Venetikun. Kjo fuqi iu shtua
ushtërisë së Skënderbeut, e cila arriti në 14.000 veta. Me këtë, kryetrimi duhej të
shpëtonte Krujën nga rreziku. Kur po pregatitej t'i binte Ballabanit, mësoi se i vëllaj i
këtij, Jonuzi, po vinte me një tjetër ushtëri turke për të forcuar rrethimin e Krujës. Por
Skënderbeu s'e la t'afrohej, e sulmoi edhe e dërrmoi duke zënë të gjallë Jonuzin
bashkë me të birin Hajdar. Pastaj theu një varg fortifikatash që Ballabani kishte bërë
për t'u mprojtur. I tregoi këtij të vëllanë dhe të nipin të lidhur me hekura edhe u vërtit
nga jashtë mbi ushtërinë turke, ndërsa garnizoni i Krujës bëri një dalje heroike duke e
goditur armikun përballë. N'atë përpjekje të tmerrshme, Ballaban Pasha u vra prej një
ushtari nga Kruja i quajtur Gjergj Aleksi, ushtëria turke u thye dhe u tërhoq e
shpartalluar. Pastaj mezi çau grykat e malevet për t'ikur, e ndjekur kudo prej
Shqiptarëvet. Skënderbeu i spastroi disa garnizone armike të mbetura aty-këtu dhe
rrethoi Elbasanin, por s'e mori dot mbasi nuk kishte artileri të mjaftë.

Sulltan Mehmeti II, i egërsuar nga këto ngjarje, u nis vetë përsëri kundër Shqipërisë,
në Korrik të vitit 1467, hyri me të gjitha ushtëritë e tija dhe e rrethoi Krujën për të
tretën herë. Ishte një luftë shkatërrimi, djegie, çfarosjeje. Sulltani la garnizone në
shumë pika të Shqipërisë së Mesme dhe sulmoi njëkohësisht qytetet që mbante
Venetiku, Durrësin, Leshin, Shkodrën, për t'ia prerë vendit çdo mundësi ndihme nga
anë e detit. Skënderbeu vazhdoi taktikën e vjetër, Kruja iu qëndroi topavet më të rëndë
dhe sulmevet më të tërbuara, Shqiptarët treguan të njëjtin shpirt heroizmi si më parë.
Pjesa m'e madhe e ushtërisë turke u lëshua për të shkretuar vendin. Popullsia ikte,
fshihej, tërhiqej e tmerruar. Kushdo që u kap i gjallë, u ther pa mëshirë. Disa grupe që
mundën, u mërguan n'Itali. Por shumica e popullit u tërhoq nëpër vendet e forta duke
qëndruar me armë në dorë gjer në vdekje. Trupat turke të stërvitura në luftën e
malevet u vunë të ndiqnin Shqiptarët deri në lartësitë më të thepisura, por këta iu
qëndruan me një trimëri të pashoqe edhe i prapsën me humbje. Nga shkrimet e
kronikanëvet turq, Dursun Beu dhe Qemal-Pasha-Zadeja, dhe nga ato të kronikanëvet
bizantinë turkofilë, Kritobuli dhe Laonik Halkokondili, kuptohet se sa t'ashpra,
plaçkitëse dhe gjakderdhëse qenë këto dy shpedita të Sulltan Mehmetit II dhe se sa
heroike u dëftye qëndresa e Shqiptarëvet, që çuditi tërë botën e atëhershme. Shqiptarët
- tregon Kritobuli - hidhëshin nga majat e shkëmbenjvet për të mos rënë të gjallë në
duart e Turqvet. Pas disa sulmeve të fundme që bëri Mehmeti II kundër Krujës dhe
Durrësit, në muajin e Gushtit, dhe pasi e pa se ndjekja e Shqiptarëvet po i shkaktonte
humbje shumë të rënda ushtërisë së tij, u shtrëngua të largohej nga Shqipëria për të
dytën herë dhe të këthehej i turpëruar në Stamboll. Por la garnizone nëpër fortesat dhe
trupa në kufi. Këto dy tërheqje të pushtonjësit të Stambollit, që u zmbraps përpara
Krujës dy vjet me radhë, ishin si dy kurora lavdie shumë të ndritura për Skënderben
dhe për kombin shqiptar. Por vendi ishte prishur, djegur e shkretuar. Popullsia ishte
vrarë e gjymtuar. Mungonin ushqimet, mungonte gjithëçka. Darët e hekurta turke
rreth Shqipërisë së Mesme po shtrëngohëshin. Fortesavet të tjera që ndodhëshin në
duart e armikut, Sfetigradit, Beratit, Modricës, iu shtohej tani edhe Elbasani. Kjo bazë
e fundit turke e shqetësoi fort Republikën e Venetikut sepse prej Elbasanit kërcënohej
Durrësi drejtpërdrejt; sidomos që Turqit kishin në dorë edhe Vlorën. Skënderbeu
shpresonte se do të kishte ndihmën e Republikës për të marrë Elbasanin. Pasi i
spastroi disa nga garnizonet që kishte lënë Mehmeti II, iu përvesh punës për të
mbledhur fuqi të tjera dhe për të pregatitur rrethimin e Elbasanit. Po për këtë duhëshin
mjete, dhe gjendja e vendit ishte tepër e keqe. Prandaj vendosi të thërriste në Lesh, në
Jenar të vitit 1468, një kuvend të krerëvet shqiptarë, ashtu siç pat bërë më 1444. Ftoi
edhe delegatët e Venetikut për t'iu kërkuar një ndihmë më të madhe nga ajo që po
jepte tani Republika.

Kuvendi u mblodh, por Skënderbeu u sëmur nga ethet. Kur ishte keq në shtrat, një
ushtëri turke erdhi nga Kosova nëpër malet me dëborë dhe rrethoi Shkodrën.
Kryetrimi provoi të ngrihej për të fundmen herë dhe të rrokte shpatën, por i mungoi
fuqia. Garda pretoriane shkoi këtë herë pa kumandarin, por Turqit e pandehën në krye
të saj edhe u thyen. Kur i erdhi lajmi i fitores, Skënderbeu ishte në çastet e fundit.
Vdiq më 17 Jenar 1468, i rrethuar me dritë dhe lavdi të përjetëshme. U varros në
kryekishën e Shën-Kollit, në Lesh. "Si Ajaksi i Sofokliut, shkruan historiani
Fallmerayer, Skënderbeu u hoq nga skena përpara se të mbaronte akti i tretë dhe i
fundmë i tragjedisë shqiptare".

XVI
Kombi shqiptar e qau me kujë e me gjëmë prijësin më të madh të tij që ia rrëmbeu
vdekja në çastin më fatkeq të luftës për vetëmprojtje. Vajtimi i burravet edhe i gravet,
që çirrnin fytyrën, shkulnin flokët, rrihnin krahërorin, ishin nga ato pamje që të
këpusin shpirtin. Nuk mbet zemër që s'u helmua, nuk mbet sy pa derdhur lot. Lajmi i
zi shkaktoi dhëmbje e pikëllim në tërë Evropën, që humbiste mprojtësin e saj më të
fortë. Tregojnë se Sulltan Mehmeti, kur dëgjoi vdekjen e tij, tha: "Një luan të këtillë
nuk do t'a pjelli më dheu kurrë!".

Trimëritë e Skënderbeut u kënduan, pas mënyrës shqiptare, si ato të heronjve të


vjetërsisë klasike. Figura e tij u mbajt si hije e shënjtëruar në malet e Shqipërisë edhe
e frymëzoi popullin t'a vazhdonte qëndresën e pathyershme për disa dhjetra vjet
akoma. Kronikani venetikas, Antonio Scabello, shkruante më 1487, afro njëzet vjet
pas vdekjes së fatosit, se populli shqiptar i këndonte me vjersha epike trimëritë e tija
të çuditshme, se grumbuj vajzash mblidhëshin çdo tetë ditë nëpër vendet ku ai kishte
sunduar dhe, midis zjarrit të betejavet, kur dridhej bota përpara armëvet të barbarit,
ato i këndonin hymne lavdie prijësit të vdekur, siç e kishin zakon të vjetrit nëpër
gostitë përkujtimore të heronjve të mëdhenj.

Qëndresa shqiptare, që e kishte marrë shtytjen nga luftat e Skënderbeut, vazhdoi gjer
në mbarim të shekullit. Por tani nuk kishte një dorë të fortë që t'a mbante të bashkuar.
I biri i Skënderbeut, Gjoni, ishte i vogël dhe shkoi e u vendos bashkë me t'ëmën,
Donikën, në Mbretërinë e Napolit, ku u pritën bujarisht prej Ferdinandit. E shumta e
kapedanëve shqiptarë t'epopesë kastriotiane ishin vrarë ose kishin vdekur. Disa nga
ata që rronin akoma u shtrënguan të mërgohëshin n'Itali ose t'i nënshtrohëshin
Sulltanit. Të tjerët, bashkë me popullin e malësivet, e vazhduan qëndresën për aq sa
mundën, të lidhur me Venetikun, i cili tani ndodhej në luftë kundër Turqisë. Kjo ishte
një qëndresë e dëshpëruar, shpeshëherë pa ndërlidhje e pa një plan të përbashkët; çdo
qytet e çdo krahinë përpiqëshin të mprohëshin me mjetet e tyre. Si figura shqiptare
m'e shquar, në veri, kishte mbetur Lek Dukagjini, i cili mori kumandën e luftës për
mprojtjen e vendit së bashku me fuqitë e Venetikut. Në jugë u përpoq të qëndronte
Gjin Muzaka. Nëpër qytetet e papushtuara kishte garnizone shqiptaro-venetikase, por
duhet të dimë se edhe ato forca që thuhëshin të Venetikut përbëhëshin me shumicë
prej Shqiptarësh nga viset që sundonte Republika. Kjo mori nën mprojtje edhe Krujën
me mbeturitë e principatës së Skënderbeut pas ikjes së Gjon Kastriotit n'Itali.

Turqit i vazhduan të pandërprera shpeditat e tyre ushtarake kundër pjesëvet të


panënshtruara të Shqipërisë. Dy herë në vit, në verë e në vjeshtë, në kohën e korrjevet
dhe të mbjelljevet, kalorësia turke i shkretonte tokat midis Durrësit, Krujës, Leshit dhe
Shkodrës. Grumbuj të gjerë fshatarësh, sidomos nga fushat, për t'i shpëtuar hekurit
edhe zjarrit t'armikut, e braktisën vendin dhe u mërguan n'Itali ose në brigjet e
Dalmacisë.

Më 1470, Sulltan Mehmeti II, në krye të një ushtërie prej 100.000 vetash, u lëshua
kundër zotërimevet të Venetikut në Greqi, ndërsa një flotë turke prej treqind anijesh,
nën kumandën e Mahmud Pashës, i sulmonte nga deti. Perëndimi u trondit nga kjo
ndërmarrje e Sulltanit, sidomos nga fuqia detare turke që çfaqej për të parën herë në
një shkallë t'atillë. Papa Pali II u përpoq t'i bashkonte shtetet e Italisë kundër rrezikut,
por as këtë radhë s'u bë gjëkafshë. Venetiku pësoi disfatën më të rëndë. Ishulli i
Eubesë dhe pak më vonë e gjithë Greqia ranë në duart e Turqvet. Për të shpëtuar të
paktën zotërimet e saja në Shqipëri, Republika e Shën-Markut e pau të nevojshme të
ndihmonte Lek Dukagjinin dhe krerët e tjerë shqiptarë që t'a vazhdonin luftën.

Më 1474, Sulltan Mehmeti II dërgoi një ushtëri të madhe, nën Sulejman Pashën e
Rumelisë, për të pushtuar Shkodrën. Ajo e rrethoi qytetin dhe e rrahu kështjellën me
artileri, por nuk mundi t'a merrte. Mprojtësit e Shkodrës i prapsën me humbje të
mëdha sulmet e ushtërisë turke. Më vonë, Sulltani dërgoi Sanxhakbeun e Bosnjës për
t'a shkretuar Shqipërinë e veriut anembanë.
Pushtimi i Shkodrës, i Krujës, i Durrësit dhe çrrënjosja e qëndresës shqiptare ishte
puna m'e ngutshme për Sulltan Mehmetin II, i cili mendonte t'i hidhej pastaj Italisë.
Prandaj e mori vetë në dorë pregatitjen dhe kumandën e shpeditavet për të shtruar
Shqipërinë. Më 1476, dërgoi me një ushtëri Ahmet Bej Evrenozin, i cili e rrethoi
Krujën për të katërtën herë dhe vendosi t'a mbante ashtu gjersa të jepej nga uria. Në
pjesët e shkelura të Shqipërisë, trupa të specializuara u vunë të ndreqnin rrugët edhe
urat për të lehtësuar kalimin e ushtërive të mëdha me armatimin e rëndë, që do të
vinin më pas nën kumandën e Sulltanit. Garnizoni i Krujës i qëndroi rrethimit për një
kohë të gjatë, por ushqimet dhe municionte po mbarohëshin. Në fillim të Shtatorit
1477, një fuqi shqiptaro-venetikase nën kumandën e Lek Dukagjinit dhe të Francesco
Contarini-t i erdhi në ndihmë Krujës, e sulmoi edhe e theu ushtërinë rrethonjëse
t'Ahmet Beut dhe e pushtoi kampin turk. Por dy kumandarët nuk dijtën t'a nxirrnin
fitoren në krye: në vend që t'a ndiqnin armikun gjersa ta shkatërronin fare, ata i lanë
ushtarët e tyre të binin pas plaçkës, duke i dhënë rastin Ahmet Beut t'i përqëndronte
forcat dhe t'a kundërsulmonte ushtërinë e shpërndarë shqiptaro-venetikase, të cilën e
theu shumë keq. Aty u vra edhe kumandari venetikas, Contarini. Ahmet Beu e
vazhdoi rrethimin e Krujës, por garnizoni i kështjellës u mbajt edhe ca kohë me
ushqimet që mundi të rrëmbente në kampin turk.

Në prendverën e vitit 1478, erdhi vetë Sulltan Mehmeti kundër Shqipërisë, në krye të
një ushtërie shumë të madhe ku bënin pjesë Bejlerbeu i Rumelisë edhe ai i Anadollit,
me qëllim që t'i jepte fund këtë radhë qëndresës shqiptare dhe të pushtonte qytetet që
po mbahëshin akoma. Kjo ishte e katërta herë gjatë njëzetetetë vjetësh (qyshse pat
ardhur me t'atin, Muratin II, më 1450), që pushtonjësi i Stambollit dhe tmerronjësi i
botës gjendej përpara murevet të Krujës, ku qenë thyer të gjitha valët e ushtërivet
otomane, dhe e shikonte akoma të pamposhtur kryeqytetin e Skënderbeut, çerdhen e
lirisë shqiptare. Por këtë radhë uria e bëri më në fund atë që s'kish mundur t'a bënte
forca. Mbetur pa ushqime dhe pa municione, mprojtësit e patundur të Krujës u muarën
vesh me Sulltanin që t'ia dorëzonin kështjellën heroike, më 16 Qërshor 1478, por me
kusht që të lihëshin të lirë për t'ikur nga qyteti me familjet dhe me plaçkat e tyre.
Mehmeti II, porsa e mori në dorëzim kështjellën, e shkeli fjalën dhe urdhëroi të
therëshin pa mëshirë të gjithë burrat, kurse gratë e fëmijët të shitëshin si skllevër. Me
këtë mënyrë barbare u çfaros garnizoni dhe e tërë popullsia e Krujës. Turqit deshën t'i
ndërronin edhe emrin qytetit, të cilin e quajtën Ak-Hisar, domethënë Kështjella e
Bardhë.

Pas kërdisë që bëri në Krujë, Sulltani gjakësor u nis me të gjitha fuqitë e tija kundër
Shkodrës dhe e shtrëngoi rrethimin e saj. Derdhi në vend disa lloje topash tepër të
rëndë dhe e rrahu kështjellën e Rozafatit një muaj rresht. Kur u ça një pjesë e murevet,
Turqit u lëshuan si të tërbuar për të hyrë brënda në kështjellë, por mprojtësit e saj
luftuan kundër tyre me një heroizëm që s'ishte parë gjëkundi n'atë kohë veçse në
Shqipëri. Valët e sulmimeve turke u prapsën njëra pas tjetrës me shumë humbje.
Veçanërisht në një mësymje të përgjithshme që Sulltani urdhëroi nga mbarimi i
Korrikut dhe që vazhdoi e pandërprerë, me hove të përsëritura, prej mëngjezit në
mbrëmje, thuhet se Turqit lanë nën muret e Rozafatit nja 12.000 të vrarë. Në
kështjellën e Shkodrës, bashkë me burrat kanë luftuar edhe gratë.

Gjatë asaj vere, Mehmeti II pushtoi Leshin, Zhabjakun dhe Drishtin. Për të marrë
Leshin nuk pat vështirësi, se kumandari venetikas e lëshoi pa luftë. Fortesa e
Zhabjakut ra pas një kundërshtimi prej pak ditësh. Por Drishti, i cili u rrethua në
muajin e Gushtit, qëndroi me trimëri gjatë disa javëve duke i prapsur me humbje
sulmet e armikut. Prandaj, kur u pushtua, Turqit e çfarosnë mizorisht të tërë
popullsinë e qytetit. Thuhet se burrat e Drishtit u shpunë lidhur në Shkodër edhe u
therën përpara murevet të kështjellës për t'iu shtirë tmerrin mprojtësvet të saj.

Por qëndresa e Shkodrës vazhdoi e rreptë. U duk se edhe Rozafati, sikurse Kruja, nuk
mund të merrej veçse nga uria. Prandaj Mehmeti II u tërhoq me një pjesë t'ushtërive të
tij, në muajin e Shtatorit, duke lënë në vend pjesën tjetër për të vazhduar rrethimin.

Ardhja e dimrit e keqësoi gjendjen e të rrethuarëvet, të cilët mbetën pa ushqime, pa


municione dhe pa shpresë ndihme nga ana e Ventikut. Republika ishte e lodhur prej
luftës me Turqit dhe s'mendoi gjë tjetër veç si e si të shpëtonte tregëtinë e saj në
Lindje. Prandaj nënshkroi paqen me Sulltanin, më 25 Jenar 1479, duke i lënë
Shkodrën dhe të gjitha zotërimet e saja në Shqipëri përveç Durrësit, Ulqinit dhe
Tivarit. Pikërisht atë ditë, garnizoni dhe banorët e Shkodrës, t'uritur, i kishin çuar fjalë
kumandarit turk se ishin gati t'ia lëshonin kështjellën me kusht që të largohëshin të lirë
me familjet, me armët dhe me plaçkat e tyre. Për t'u siguruar se Turqit nuk do t'i
vrisnin me të pabesë, siç patën bërë në Krujë, kërkuan dhe muarën nga ata njerëz si
peng. Kështu popullsia trime e Shkodrës e la me zemër të thyer atdhen e vet edhe u
mërgua në Venetik. Heroizmi i mprojtjes së Shkodrës, sikurse ai i mprojtjes së Krujës,
bëri një përshtypje të thellë në gjithë botën e atëhershme dhe frymëzoi shkrimtarë e
artistë të kohës. Qëndresa e Shkodrës është përjetësuar në një nga tabllot më të bukura
të piktorit të madh të Rilindjes, Paolo Veronese. Kjo kryevepër ndodhet në Venetik,
në pallatin e vjetër të dogjëvet.

Porsa pushtoi Shqipërinë - megjithëse qëndresa nëpër malësitë vazhdonte akoma -


Sulltan Mehmeti II iu vu menjëherë pregatitjevet për t'u hedhur n'Itali. Kumandën e
kësaj shpedite ia ngarkoi gjeneralit Ahmet Gjedik Pasha, një renegat shqiptar, i cili,
duke përdorur Vlorën si bazë dhe pasi u pregatit brenda një viti nga toka e nga deti, iu
hodh Italisë në prendverën e 1489-ës dhe, më 11 të Gushtit, pushtoi qytetin e
Otrantos1. Kjo ngjarje tronditi tërë Evropën. Italisë i hyri tmerri. Papa po mendohej
t'ikte në Francë. Në qytetet italiane, si në Napoli e gjetkë, u krijua panik. Njerëzia, si e
çmendur, s'dinte nga t'ia mbante për të gjetur shpëtim. Mbreti Ferdinand kërkoi
ndihmë nga të gjitha anët, sidomos nga Papa. Ky iu bëri një thirrje shtetevet italiane
për t'u bashkuar, por ndeshi në kundërshtimin e Venetikut i cili kishte lidhur paqe me
Sulltanin. Ahmet Gjedik Pasha po priste shkarkimin e fuqive të tjera për të përparuar
n'Italinë e jugës dhe në drejtim të Romës. Në Prill të vitit 1481, Papa iu lëshoi një
thirrje të ngutshme gjithë shteteve dhe princave t'Evropës. Por Sulltan Mehmeti II
vdiq më 3 të Majit, dhe në Turqi filloi menjëherë grindja e brendëshme për fronin
ndërmjet dy djemve të tij, Bajazitit dhe Xhemit. Vdekja e Sulltan Mehmetit, i cili e
kaloi të tërë jetën duke luftuar kundër Shqiptarëvet, e shpëtoi Italinë dhe Evropën nga
rreziku turk. Ky shpëtim i detyrohet sidomos luftës së Skënderbeut dhe të kombit
shqiptar, që i përmbajti forcat turke lart nga tridhjetepesë vjet, në një kohë kur ato
ishin në gjendje të përpinin Italinë dhe ndoshta pjesë të tjera t'Evropës.

Vdekja e Sulltanit t'urrejtur dhe grindja për fronin, që u ndie në Turqi, iu dha rast
Shqiptarëvet të çohëshin përsëri dhe të sulmonin qytetet për të përzënë garnizonet
turke. Kryengritja u bë e përgjithshme, por nuk kishte një udhëheqës. Atëhere
Shqiptarët dërguan e thirrën Gjon Kastriotin, të birin e Skëndrebeut, i cili ishte n'Itali
dhe luftonte n'ushtërinë napolitane kundër Turqvet, n'Otranto. Mbreti Ferdinand i
Napolit kishte interes t'iu krijonte Turqvet pengesa në prapavijat e tyre, në Shqipëri,
ngaha kalonin për n'Itali. Prandaj vuri nën urdhërat e Gjon Kastriotit katër anije lufte,
i dha ca armë e municione dhe e nisi për në Shqipëri nga mbarimi i Korrikut 1481.
Porsa zbriti Gjon Kastrioti kryengritësit shqiptarë e pritën si udhëheqësin e tyre dhe
lëvizja u zgjerua më shumë. Në këtë ndërkohë, Sulltan Bajaziti II, djali m'i madh i
Mehmetit II, ishte siguruar në fronin e Turqisë, dhe një ushtëri turke nën kumandën e
Sulejman Pashë Eunukut kishte ardhur në Vlorë për t'u hedhur n'Otranto. Kryengritja
e Shqiptarëvet i krijoi kësaj ushtërie një rrezik prapa krahëvet dhe e detyroi të
qëndronte në Vlorë për të shtruar vendin.

Rreth Gjon Kastriotit u mblodh një fuqi shqiptare prej nja 4 a 5.000 këmbësorësh dhe
nja 600 kalorësish. Me këtë fuqi i biri i Skënderbeut theu një ushtëri turke, në muajin
e Gushtit 1481, dhe nisi t'i shtrinte lidhjet e brendëshme. Gjeti një mbështetje të fortë
sidomos në Himarë dhe në Labëri. Këto krahina, si edhe të tjerat që ngritën krye, e
njohën Gjon Kastriotin për princ të tyren. Himariotët rrethuan fortesën e Himarës dhe
atë të Sopotit për të dëbuar garnizonet armike, e thyen keqas ushtërinë turke që vinte
nga Vlora kundër tyre dhe e çliruan të gjithë krahinën.

N'Itali, Turqit u shtrënguan t'a lëshonin Otranton, më 10 Shtator 1481, jo vetëm prej
forcavet italiane që kumandonte Duka i Kalabrisë, po edhe sepse kryengritja e
Shqiptarëvet ua bëri të pamundur ardhjen e ndihmës nga Vlora. Pas çlirimit t'Otrantos,
Papa Siksti IV ishte i mendimit që flota e tij dhe ajo e mbretërisë së Napolit të
sulmonin Vlorën duke përfituar nga kryengritja e Shqiptarëvet. Por nuk u bë
gjëkafshë, ndoshta sepse marrëdhëniet ndërmjet Romës dhe Napolit nuk ishin fort të
mira. Mbreti i Napolit nënshkroi paqen me Turqinë, më 1483, dhe Shqiptarët mbetën
përsëri vetëm për t'i bërë ballë fuqisë shtypëse të Turqvet.

Me forcat e Himariotëvet Gjon Kastrioti desh t'a ringjallte principatën e lirë shqiptare.
Suliotët dhe gjithë krahinat jugore të Shqipërisë u lidhën me të. Në veri, Mirdita,
Dukagjini dhe pjesë të tjera të malësisë ishin çuar në këmbë. Por Turqit, pasi hoqën
dorë nga Italia, i përdorën fuqit e tyre për t'i dhënë grushtin e fundit kryengritjes
shqiptare, të cilën edhe e shtypën. Gjon Kastrioti kaloi përsëri në Mbretërinë e
Napolit, në tokat që Ferdinandi i kishte falur Skënderbeut. Më 1485, u bë Kont i
Soleto-s dhe, pak më vonë, Duka i San Pietro-s në Galatina.

Kryengritja shqiptare filloi rishtas pas disa vjetësh, e nisur prej Himariotëvet, e u
përhap shpejt në Shqipërinë e Mesme dhe n'atë të veriut. Më 1488, duket se Gjon
Kastrioti u hodh për të dytën herë në Shqipëri, i thirrur prej kryengritësvet, të cilët e
njihnin gjithnjë si princin e tyre. Turqit dërguan fuqi të shumta nga toka dhe një flotë
të madhe në Vlorë. Kryengritja u shtyp në viset e tjera, por vazhdoi e rreptë në Himarë
deri më 1492. Në verën e atij viti, Sulltan Bajaziti II lëshoi në ndjekje të Himariotëvet
forca të mëdha duke përdorur edhe flotën nga ana e detit. Himariotët me gra e fëmijë
u tërhoqën në majat e thepisura të Kurveleshit. Një pjesë e tyre që u shtrëngua nga
uria të binte në duart e Turqve u çfaros krejt: burrat u vranë barbarisht, kurse gratë e
fëmijët u shitën si skllevër. Por të tjerët e vazhduan qëndresën deri sa shkëputën prej
Sulltanit disa të drejta (ose venome, fjalë që është përdorur më vonë). Këto të drejta
ishin që Himariotët do të qeverisëshin vetë me kanunin e vjetër të Shqiptarëvet, do të
mbanin armët, por do t'i paguanin Turqisë një haraç të vogël duke premtuar se nuk do
të ngrinin më krye kundër saj.

As këtë radhë Shqipëria nuk u shtrua plotësisht. Saherë që shikonin tek shtetet e
Perëndimit ndonjë pregatitje kundër Turqisë, Shqiptarët ishin të gatishëm për të
ngritur krye. Perëndimi, sidomos Venetiku dhe Napoli, i shtynte lëvizjet e
Shqiptarëvet për t'ua bërë Turqve të vështirë kalimin n'Itali ose pushtimin e qytetevet
që Republika e Shën-Markut zotëronte akoma në brigjet e Adriatikut. Më në fund
grushti i hekurt i Turqvet binte përsëri mbi Shqiptarët, të cilëve as Napoli as Venetiku
s'mund t'iu siguronte mprojtjen, as iu jepnin ndonjë ndihmë, as mërzitëshin fort për
fatin e tyre.

Më 1499, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Venetikut u ashpërsuan tepër. Republika


ndjeu prapë nevojën që t'i shtynte për kryengritje krahinat shqiptare rreth Durrësit dhe
Leshit. Me ndihmën e Shqiptarëvet Venetiku e pushtoi përkohësisht Leshin, por
Turqit i muarën Durrësin më 1501. Më në fund Venetiku bëri përsëri paqe me
Turqinë, më 14 Dhjetor 1502, duke mbajtur në Shqipëri vetëm Ulqinin dhe Tivarin, të
cilët u pushtuan prej Turqvet më 1571.
Kështu, qëndresa heroike e Shqiptarëvet kundër invadimit turk vazhdoi plot një
shekull, duke bërë aq sa s'mund të pritej kurrë nga një komb i vogël për mprojtjen e
Evropës dhe të qytetërimit të saj.

1
Skënderbeu e kishte parashikuar që më 1460, se po të mos i kishte ndalur qëndresa e Shqiptarëvet, Turqit do t'i
ishin hedhur Italisë. Në letërpërgjigjen që i dërgonte n'atë vit princit të Tarantos, i thoshte: "Sikur t'isha mposhtur
unë, Italia do t'a kishte ndierë sigurisht rrezikun... etj".
XVII
Sadoqë deri tash janë shkruar nja katërqind vepra mbi Skënderben, afro në të tëra
gjuhët e Evropës, nuk kemi akoma një studim të plotë, të shikuar nga të gjitha anët,
mbi historinë dhe mbi personalitetin e tij. Pjesa e parë e jetës së kryetrimit deri në
moshën 38 vjeç (më 1443) mbetet pothuajse n'errësirë. Luftat dhe punët që bëri pastaj
njihen mjaft mirë, por kanë akoma nevojë për disa sqarime dhe përpikni. Nuk janë
kërkuar të gjitha burimet, nuk janë botuar të gjitha tok dokumentat arkivale që patën
mbledhur historianët Thalloczy (Hungarez), Jireçek (çek) dhe Sufflay (Kroat). Do të
ketë akoma gjëra për t'u zbuluar nëpër arkivat, bibliotekat dhe libraritë e vjetra.

"Sikur të kishim në dorë një përshkrim të mjaftë të trimërivet të Skënderbeut",


shkruante gjenerali anglez James Wolfe më 1756, "do t'ishte një material shumë i
vlefshëm, sepse ai (Skënderbeu) i kalon të gjithë kapedanët e vjetër dhe modernë
n'udhëheqjen e një ushtërie të vogël mprojtëse". Historiani dhe shkrimtari i madh
frëng, Voltaire, ishte i mendimit se "sikur perandorët grekë të kishin qënë
Skënderbenj, Perandoria e Lindjes do t'ishte mbajtur". Kurse William Temple, burrë
shteti dhe shkrimtar anglez i shekullit XVII, në veprën e tij mbi "Virtutin Heroik", e
vë Skënderben si një nga shtatë kapedanët e mëdhenj të pakurorëzuar (jo mbretër)
t'Evropës.

Trimëritë e tija të çuditshme nuk u zmadhuan pastaj prej legjendës, por tërhoqën
admirimin e gjithë botës që me gjalljen e tij. "S'ka njeri në botë", i shkruante Papa
Kalisti III më 1457, "që të mos i dijë trimëritë që kini bërë dhe që të mos ju lëvdojë
gjer në qiell si një kryemprojtës të vërtetë dhe kryeluftëtar bujar të Krishterimit".

S'ka dyshim që Skënderbeu është një nga kapedanët më të mëdhenj të botës dhe, sikur
të kishte pasur mjetet e Jul Qesarit ose t'Aleksandrit të Madh, ndoshta do të qëndronte
krahas me këta në historinë e njerëzisë. Por forcat e tija ishin të pakta, ato të popullit
shqiptar, mjetet e tija ishin të varfëra, ato të Shqipërisë, ushtëritë e tija ishin të vogla,
lufta e tij ishte mprojtëse. Megjithatë, i bëri ballë për njëzetepesë vjet rresht, pa u
mundur asnjë herë, perandorisë ushtarake më të fuqishme të kohës duke thyer dy nga
sulltanët më të mëdhenj të dinastisë s'Osmanllinjvet. Turqit nuk do t'a kishin pushtuar
dot Bizantin sikur perandorët e tij t'ishin si Skënderbeu, mendonte Voltaire-i. Afër
këtij mendimi, mund të shtojmë se sikur Skënderbeu të kishte kumanduar një
kryqëzatë të përgjithshme perëndimore, si atë që deshën t'organizonin Papët, s'është
çudi që t'i kishte përzënë fare Turqit nga Evropa dhe t'i kishte dhënë një tjetër drejtim
historisë. Mjerisht, jo vetëm që s'u organizua dot një kryqëzatë e atillë, por shtetet e
Perëndimit, kur nuk e pengonin, përpiqëshin t'a shfrytëzonin qëndresën e Skënderbeut
dhe të Shqiptarëvet për interesat e tyre të ngushta.

Nuk është aspak objektive pikëpamja e disa historianëve të huaj që mendojnë se


Skënderbeu u mbajt me ndihmën e Perëndimit. Skënderbeu u mbajt, luftoi e qëndroi
me forcën dhe trimërinë e popullit shqiptar. E cilat ishin ndihmat e Perëndimit?
Intrigat dhe lufta e ftohtë ose e nxehtë që i bëri Venetiku pothuajse gjatë tërë jetës së
tij me përjashtim të katër a pesë vjetëve të fundit? Apo disa mijëra dukata që mundën
t'i jepnin Papët? Një farë ndihme mjetesh e ushqimesh që mori Skënderbeu nga
Alfonsi i Napolit, midis vjetëve 1451-1458, kundrejt disa kushteve politike fort të
rënda (të paktën në formë) që ai i imponoi, i vlejtën diçka për të kapërcyer vështirësitë
e asaj kohe, por nuk kanë qënë kurrë vendimtare në luftën e kryetrimit shqiptar.
Ndihmat më të shumta që i dha Alfonsi, n'artileri dhe ushtarë, ishin ato që humbën në
rrethimin e Beratit. As nuk i shtuan gjë luftës heroike të Skënderbeut ca qindra
vullnetarë të huaj që erdhën nga Evropa. Prandaj disa historianë, sikurse Rumunët
Marinesku dhe Jorga, Gjermani Georg Voigt, e të tjerë, e kanë tepëruar pak rëndësinë
e ndihmës ose rolin e Napolit dhe të Venetikut në luftën e Skënderbeut. Kryetrimi
shqiptar nuk iu nënshtrua kurrë mbretit të Napolit ashtu si mendojnë këta auktorë.
Deri edhe Fan Noli, i cili pasi u largua nga Shqipëria na u bë një internacionalist i
radhës së parë, në botimin e dytë të Historisë së Skënderbeut iu jep kaptinavet IV dhe
VI kryetitujt: "Skënderbeu dhe Alfonsi V kundër Mehmedit II (1451-1458)" e
"Skënderbeu dhe Venetia kundër Mehmedit II". Që t'a lidhi qëndresën e Skënderbeut
si një vepërim të përbashkët e të ngushtë me atë të Napolit e të Venetikut, Fan Noli
duhej të na jepte disa shifra mbi ndihmën e këtyre dy shteteve. Por si duket s'ka gjetur
dot të tjera veçse një garnizon prej 100 ushtarësh Katallanë që dërgoi Alfonsi II për të
marrë në dorëzim simbolikisht fortesën e Krujës dhe 1.500 dukata që duhej t'i jepte
Skënderbeut çdo vjet; po edhe këto do të delnin nga t'ardhurat e kriporevet të Rodonit
që mbreti i Napolit kishte në Shqipëri. Shifra të tjera që jep Fan Noli, në lidhje me
ndihmën e Alfonsit, janë "5 topa të mëdhenj dhe 13 të vegjël me artileristë që dinin t'i
përdornin, një ushtëri prej 1000 Napolitanësh, 500 me argje dhe 500 me dyfegje, nën
kumandën e Palerino-s dhe aq të holla sa ishin të nevojshme për të financuar këtë
shpeditë". Siç e dimë, të gjitha këto ndihma humbën në disfatën e Beratit. Kurse në
kaptinën "Skënderbeu dhe Venetia kundër Mehmedit II", si ndihma të Venetikut Fan
Noli përmend 1.300 ushtarë dhe 2.000 dukata që Republika dërgoi në Tetor 1463, flet
për ushtarë "Venecianë" në garnizonin e mbrojtjes së Krujës kundër rrethimit të
Sulltan Mehmetit II, më 1466, dhe në betejën dërrmonjëse që Skënderbeu i dha
Ballaban Pashës, në Prill 1467, por nuk na tregon numrin. Le që s'do mend të
kuptohet se këta ushtarë "Venecianë" ishin Shqiptarë prej krahinavet që sundonte
Venetiku. Pra t'i shikojsh këto farë ndihmash si një pjesëmarrje e plotë e Napolit dhe e
Venetikut krahas me Skënderben në luftën kundër Turkut, na duket një gjykim i
përciptë. A me këto "ndihma" i përballoi Skënderbeu vërshimet e paprera t'ushtërivet
turke rreth gjashtëmbëdhjetë vjetëve, prej 1451 gjer më 1467? Me këto "ndihma" i
dërrmoi ato njërën pas tjetrës, theu Moisinë, Hamzën, pesë herë Ballaban Pashën, dhe
prapsi dy herë Sulltan Mehmetin II që vinte me nga 150.000 ushtarë e me artilerinë
më të rëndë t'asaj kohe?

Kanë nevojë për një sqarim edhe lidhjet e Skënderbeut me Papët. Nuk është e drejtë të
thuhet se, nga Papët, kryetrimi shqiptar s'pati veçse "bekime apostolike", siç duan të
thonë disa me tallje. Papët e përkrahën moralisht aq sa mundën, e shikuan si Kampion
të Krishterimit, e ndihmuan me të holla dhe, në disa raste, me ushqime e municione
përveç ndonjë trupe simbolike ushtarësh. Pastaj ndërmjetësuan gjithmonë pranë
shteteve e princave t'asaj kohe për t'i dërguar ndihma Skënderbeut. Por nuk mund të
thuhet se këto ndihma, të cilat përmblidhëshin në disa dhjetra mijë dukatash, qenë
vendimtare në luftën titanike që Skënderbeu i bëri për njëzetepesë vjet rresht
perandorisë më të fortë të kohës, aq sa të mos përfillet heroizmi i pashembullt i
kombit shqiptar, siç bëjnë disa t'ashtuquajtur historianë. Këta, me një shtrembërim
logjik të gjëravet, në vend që të thonë se Skënderbeu nisi të çmohej si një figurë e
madhe evropiane kur ai vetë u tregua si i tillë dhe kur Perëndimi kishte nevojë për të,
na mbushin me prralla idiote se gjoja kryetrimi shqiptar u bë i njohur në botën e
Perëndimit në sajë të Papëvet, të Mbretërisë së Napolit a të Republikës së Venetikut!

Skënderbeu u përpoq gjithmonë t'a lidhte qëndresën e tij me atë të Perëndimit kundër
rrezikut të përbashkët. Por Perëndimi, edhe kur nuk e pengonte, si Venetiku, u dëftye i
ngushtë e i padrejtë kundrejt atij duke e lënë vetëm n'atë provë aq të rëndë, ku shkriu
të gjitha energjitë e popullit shqiptar në një luftë që s'ishte vetëm e Shqipërisë po edhe
e tërë Evropës. Deri Papët, pa dashur, i patën ngjallur shpresa të kota me ëndrrën e
kryqëzatës, duke e shtytur ta prishte paqen me Turqit për të mbetur pastaj vetëm për
vetëm përballë Sulltanit. Perëndimi përfitoi prej Skënderbeut dhe prej eshtravet të
Shqiptarëvet, por jo Skënderbeu prej Perëndimit.

Nuk duam t'a zmadhojmë për sedër kombëtare shërbimin që Skënderbeu dhe qëndresa
e Shqiptarëvet i sollën Evropës në shekullin XV. Por është fakt historik që Shqipëria
qëndroi si m'i forti front i Evropës kundër invadimit turk në bregun lindor t'Adriatikut,
në vendin strategjik ku bjenë rrugët më të shkurtëra ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes.
Dhe kjo qëlloi në një kohë kur fuqia shtrirëse e Osmanllinjvet, e udhëhequr nga dy
Sulltanë të mëdhenj si Murati II dhe Mehmeti II, po arrinte në kulm, ndërsa mprojtja e
popujvet evropianë ishte e dobët dhe e palidhur. Pasi shtroi Shqipërinë, Sulltan
Mehmeti iu vërsul menjëherë Italisë më 1480. Venetiku jo vetëm që s'e pengoi për të
zbritur në Mbretërinë e Napolit, po i dha edhe një ndihmë financiare. Është e vërtetë
se në kohën e Skënderbeut flota turke nuk e sundonte akoma Mesdheun e lindjes. Por
kush na siguron se, po të mos ishte qëndresa shqiptare, e cila e mbajti vazhdimisht të
mbërthyer një pjesë të madhe të fuqisë turke, Mehmeti II nuk do t'i kishte pushtuar
shumë vjet më parë të gjitha zotërimet e Venetikut në Ballkan, nuk do t'a kishte
zgjeruar flotën, siç bëri pastaj, dhe nuk do t'ishte hedhur n'Italinë e jugës, ndoshta
edhe me ndihmën ose mënjanimin e Republikës, mjaft kohë përpara 1480-ës?
Qëndresa e Skënderbeut iu mbylli Turqve jo vetëm rrugën e Italisë, por i pengoi të
përparonin edhe në drejtim t'Evropës Qendrore, ku ushtëritë e tyre nuk mund të
shtyhëshin shumë thellë duke lënë si një rrezik prapa krahëvet forcat shqiptare me një
kumandar aq të dëgjuar. Me vdekjen e Mehmetit II u mbyll përkohësisht vargu i
sulltanëve të mëdhenj, për të rifilluar më vonë me Sulejmanin II Kanuniun. Bajaziti II,
që mbretëroi prej 1481 gjer më 1512, nuk ishte në lartësinë e t'et, dhe Selimi I (1512-
1520) u muar me Egjyptin dhe Persinë. Kjo e fundit kish nisur të ngrihej nga ana e
Lindjes si një fuqi shqetësonjëse për Osmanllinjtë. Pra qëndresa e Skënderbeut me
krahërorët e Shqiptarëvet qëlloi në kohën më të duhur për mprojtjen e Evropës dhe të
qytetërimit të saj.

Do të na pëlqente të kishim një përshkrim të vërtetë mbi personalitetin e Skënderbeut.


Me sa dimë nga dëshmitarët e kohës dhe me sa kuptojmë nga veprat e tija, cilësitë
fizike dhe morale harmonizohëshin tek ai në një lartësi të jashtëzakonshme. Ishte i
gjatë, i zhdërvjelltë dhe shumë i fortë nga trupi, me trajtat e një atleti të përsosur, i
bukur, fisnik e madhështor në pamjen, epëror nga mendja, i gjerë e bujar nga shpirti,
dhe me një vullnet sa s'kishte forcë në këtë botë as fatkeqësi që mund t'a thyente. Veç
ai burrë s'u trondit as kur mizëritë e Anadollit, me dy Sulltanë që bënë Evropën të
dridhej, u përplasën mbi tokën shqiptare dhe i rrethuan Krujën, as përpara tragjedisë
së Beratit, as kur u trathëtua nga shokët dhe nipat e tij më të dashur, as kur u ndodh
me mjete fort të pakta në mprojtjen e një vendi të përgjakur, të djegur e të shkretuar,
as kur, midis këtyre mjerimeve e trazonte nga ana tjetër Venetiku. Provoi të ngrihej
deri nga shtrati i vdekjes për të rendur në Shkodër kundër Turqvet. Ishte i rreptë në
beteja, i rreptë në mbajtjen e disiplinës, në përmbushjen e detyrës, i tmerrshëm kur
sulmonte në krye të kalorësisë duke përmbysur ç'gjente përpara, duke korrur armiq më
të djathtë e më të mëngjër me atë forcë e shkathtësi atleti; askush s'mund t'i qëndronte
shpatës së tij në dyluftime. Por nga ana tjetër ishte gojëmbël, i ardhur e bujar në
lidhjet njerëzore, nuk e pat lejuar kurrë ushtërinë e vet të bënte skllevër a të ngiste gra
e fëmijë nëpër vendet armike, rrallëherë pat qëlluar të vriste robër lufte.

Cilësitë kalorësiake të Skënderbeut, bujarinë kundrejt të mundurvet, i ka pasur pak a


shumë kombi shqiptar në të gjitha kohët. Në Perandorinë Bizantine, Shqiptarët ishin i
vetëmi popull që nuk i vrisnin robërit e luftës, nuk prekte gra e fëmijë dhe nuk merrte
skllevër nëpër vendet e shkelura. Këto vetija Shqiptarët i ruajtën edhe më vonë, kur
luftonin me Turqinë, ose si merçenarë nëpër ushtëritë e princave t'Evropës. Më 1510,
Seneshali i Madh i Normandisë që kumandonte ushtëritë frënge n'Itali, në një raport
që i dërgonte mbretit të Francës, Luigjit XII, tregonte se Sllavët ishin mizorë në luftë,
vrisnin çdo rob që iu binte në dorë, "prandaj edhe neve", thoshte ai, "u a bëjmë po
ashtu". Kurse Shqiptarët, shkruante Seneshali i Normandisë, "sillen krejt ndryshe, i
nderojnë dhe i mbajnë mirë robërit që zënë prej nesh, prandaj edhe neve sillemi në të
njëjtën mënyrë kundrejt robërvet që zëmë prej tyre".

Gjatë këtij studimi të përmbledhur, kemi pasur rastin t'i vëmë në dukje zotësitë e larta
të Skënderbeut si kumandar ushtërie nga më të mëdhenjtë, si strateg dhe taktikan i
radhës së parë. Dinte të lidhte bashkë veprimin e kalorësisë me atë të këmbësorisë,
veprimin e ushtërisë së rregullt me atë të çetavet, taktikën e sulmimit me atë të
mprojtjes, dhe t'i impononte gati gjithmonë armikut planin e tij, në vendin që kishte
zgjedhur për betejën, fushë, pyll, kodra apo gryka, si t'i jepte dorë më mirë. Për të
hequr armikun në kurthe, për të shkallmuar ushtëri të mëdha me forcat e tija të vogla,
nuk ka shok në historinë ushtarake të botës, siç e pohoi edhe gjenerali anglez James
Wolfe. Pasi bënte planin, ku kishte llogaritur çdo gjë, ishte i zoti t'a vinte në zbatim të
përpiktë, në goditje t'anëshme apo të gjithanëshme, në tërheqje taktike apo në sulme të
rrufeshme, me një shpejtësi lëvizjesh si ato të Jul Qesarit ose të Napoleonit. Le të
sjellim nër mend luftën e Torviollit, t'Albulenës, ato kundër Ballaban Pashës, e shumë
të tjera. Janë shembuj epopeje. Gjatë betejavet, megjithëse hidhej i pari në sulm dhe
ndodhej atje ku përpiqëshin kuajt kundër kuajvet dhe çeliku kundër çelikut me aq furi
sa trandej toka, mbante një gjakftohtësi të çuditshme, gjithmonë i zoti i gjykimit,
gjithmonë i zoti i vetvehtes, edhe luftonte si kalorës i thjeshtë edhe drejtonte tërë
ushtërinë, në valomën e përleshjevet, gjer në fitoren e plotë. Atje ku ishte ai vetë,
s'kish gjë që t'i qëndronte përballë. Skënderbeu është i pari kumandar ushtarak që ka
përdorur, kundër rrethimevet të Krujës, taktikën e goditjevet të shpejta dhe të
tërheqjevet, domethënë taktikën e luftës së çetavet, me anën e së cilës i pat shkallmuar
ushtëritë e mëdha turke dhe i pat shtrënguar Sulltanët që të largohëshin prej Shqipërie.
Betejat e tija n'Itali vunë në dukje vleftën e kalorësisë së lehtë shqiptare, e cila u
imitua më vonë dhe vlejti si model për krijimin e kalorësive moderne n'Evropë.

Po aq i madh del Skënderbeu si burrë politik dhe si ndërtonjës i shtetit shqiptar.


Mundi të bashkojë nën kumandën e tij krerët shqiptarë të pabashkuarshëm, t'iu
qëndrojë ndërhyrjevet të jashtëme, sidomos të Venetikut, t'organizojë ushtërinë,
mprojtjen e kështjellavet, mprojtjen e vendit, të formojë bërthamën e shtetit shqiptar të
pavarur, si njësi ethnike, administrative dhe politike. Çfarë durimi, çfarë zotësie, çfarë
instinkti të lidhjevet njerëzore pat ai burrë për të mbajtur një bashkim t'atillë!

Në Shqipëri, si gjithkund n'atë kohë, ishte në fuqi regjimi feudal me një farë
aristokracie patriarkale që ndryshonte si duket prej asaj të vendeve të tjera, sepse ishte
m'e afërt me popullin dhe jetonte pothuajse në të njëjtën mënyrë e me të njëjtat
zakone. Ndërsa masa e fshatarëvet, në Perëndim dhe në pjesën tjetër të Ballkanit,
veçanërisht në Serbi e Bullgari, përbëhej prej bujq-robërve, në Shqipëri të gjithë
malësorët dhe shumica e katundarëvet fusharakë ishin të lirë (domethënë jo robër të
lidhur e të shitshëm me tokën). E njihnin zotërimin e feudalit të tyre dhe i jepnin atij
një pjesë të prodhimit, por gëzonin lirinë vetiake e familjare dhe rregullohëshin si
duket (sidomos malësitë) pas Kanunit të vjetër të Shqiptarëvet, siç e gjejmë sot pak a
shumë n'atë të Lek Dukagjinit. Kurse qytetet ishin të lulëzuara e pothuajse të lira
sepse, megjithëqë njihnin sundimin e një princi, brenda për brenda qeverisëshin prej
këshillit qytetar të tyre. Në një gjendje më të shtypur ishin qytetet dhe fshatrat që
ndodhëshin nën Venetikun, i cili desh të shtrinte sistemin e bujq-robërvet, si në
Perëndim. Mbi liritë që gëzonin Shqiptarët n'atë kohë, është për t'u vënë re një dëshmi
e auktorit grek Theodor Spandolicio (Spandugnio- Kantakuzeni) në Kronikat e Hopf-
it. Ai tregon se princi Carlo Tocco, pasi e pushtoi Janinën, s'mundi t'a mbante veçse
për pak kohë, mbasi desh të sundonte me ashpërsi sipas mënyrës italiane. Mirëpo
Shqiptarët nuk ishin mësuar me këtë lloj sundimi, thotë ai, prandaj u ngritën dhe e
përzunë prej Janine1.

Gjendja pak a shumë e lirë në të cilën jetonin si edhe natyra luftarake e tyre
shpjegojnë deri diku se përse Shqiptarët e kundërshtuan me një vendosmëri për jetë a
për vdekje invadimin turk dhe përse Skënderbeu gjeti tek ata një mbështetje aq të
fortë. Dihet se trimëria e burrëria janë një virtut, a më mirë të themi një forcë e
nderuar, që tërheq gjithmonë simpathinë dhe siguron besnikërinë e masavet. Po
përveç kësaj, Skënderbeu ishte për aristokracinë e vogël, për qytetarët, fshatarët dhe
malësorët si kryetrimi që i mpronte nga shkelja e një armiku me fe e zakone të tjera
siç ishin Turqit. Ai iu frymëzonte besimin dhe iu mbante gjallë shpresën se do të
mund të qëndronin e të jetonin sipas mënyrës dhe zakonevet shqiptare; se do të
shpëtonin gjithashtu nga shfrytëzimi i ri i feudalizmit ushtarak turk me regjistrimin e
tokavet, me sistemin e spahinjvet dhe të timarevet; se do të mpronin fenë dhe ato liri
që kishin në truallin e stërgjyshëvet.

Ishte e dukëshme se një Shqipëri e vogël me një Skënderbej të vetëm në krye, me fuqi
e mjete aq të kufizuara, nuk mund t'i qëndronte përgjithmonë Perandorisë Turke, e
cila përfshinte Anadollin, Ballkanin, dhe kërcënonte tërë Evropën. Sidomos që shteti i
Skënderbeut nuk përmblidhte dot as të gjithë Shqipërinë. Në jugë, Vlora, Berati,
Gjirokastra, Janina, Grebeneja, Kosturi, ishin në duart e Turqvet, të cilët kishin
shkelur gjithashtu, në lindje e në veri-lindje, Kosovën dhe Maqedoninë duke bërë
Shkupin dhe Manastirin si dy nga bazat e tyre ushtarake më të forta në Ballkan.
Qytetet e lulëzuara të bregdetit shqiptar, si Durrësi, Leshi, Drishti, Shkodra, Ulqini e
Tivari, ishin nën pushtetin e Venetikut. Edhe në pjesët e brendëshme të vendit,
principata e Dukagjinëvet, në veri, edhe ajo e Aranitëvet, në jugë, nuk u përfshinë dot
në shtetin e Skënderbeut. Prandaj është për t'u çuditur sesi, me një pjesë aq të kufizuar
të Shqipërisë, ai mundi të bënte ato që bëri, mundi të njihej n'atë kohë si një nga
protagonistët e historisë s'Evropës dhe të mbetej përgjithmonë heroj kombëtar i
Shqiptarëvet.

1
Hopf, Chroniques, f. 326.

XVIII
Që nga koha e dyndjes së Sllavëvet, kur fiset iliriane pësuan humbjen më të rëndë që
shënon historia e tyre, nuk pat njohur kombi shqiptar një lëkundje aq të fortë, një
tronditje nga themelet si ajo që i solli pushtimi turk pas vdekjes së Skënderbeut. Kjo
fatkeqësi i ngjau në një kohë kur Shqipëria, gjatë një shekulli, me Balshajt, Thopiajt
dhe sidomos me Skënderbén po ecte drejt bashkimit politik të saj si shtet, po ngrihej si
njësi ethnike, fetare e kulturore në një radhë me kombet e tjerë të Ballkanit dhe
t'Evropës. Qytetet e Shqipërisë po bëheshin qëndra kuture edh'arti, zejtaria shqiptare
ishte fort e përparuar, dhe gjuha shqipe kishte nisur të shkruhej, por s'na kanë mbetur
dokumenta t'asaj kohe veçse formula e pagëzimit, shkruar me shkronja latinishte më
1462, dhe një copëz e Ungjillit që këndohet natën e Pashkëvet në ritin orthodoks,
shkruar me shkronja greqishte. Me vetijat që tregoi si popull trim, me burrërinë e
lashtë që e ka pasur gjithmonë në gjak, me energjitë që shkapërderdhi pastaj duke
luftuar për botën ose duke u përndarë nëpër botë, s'mbetet asnjë dyshim se kombi
shqiptar, sikur të kishte vazhduar jetën e tij të lirë si shtet i pavarur, do t'ishte ngritur
në kulmet më të larta të qytetërimit, do të kishte pasur një tjetër fat, një tjetër rend, një
tjetër peshë në familjen evropiane. Pushtimi turk, përveç shkatërrimit të përgjithshëm
që i solli, i ra në një kohë kur s'ishte arrirë akoma bashkimi i tërë Shqipërisë si njësi
kombëtare, politike e kulturore, kur nuk ishin forcuar akoma ato lidhje të brendëshme
që e mbajnë një popull të pandarë dhe të pandarshëm, cilatdo qofshin rrethanat
historike a stuhitë e jashtëme që përplasen mbi të. Ajo gjendje e palidhur në të cilën
ndodhej kur e përfshiu vala turke, e dëmtoi shumë kombësinë shqiptare gjatë pesë
shekujve të sundimit otoman. Pushtimi turk i ra gjithashtu në kohën kur popujt e
Evropës delnin prej errësirës së Mesjetës në dritën e Rilindjes, në periudhën ku letrat,
artet, shkencat dhe mendimi përgjithësisht, nën ndikimin e kulturavet klasike, po
merrnin një hov të ri duke krijuar kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të botës
perëndimore për t'arritur në shkallën e sotshme. Shqipëria, që kishte pasur gjithato
lidhje me Perëndimin, u nda si me një perde të hekurt prej rrymavet kulturore të
Rilindjes evropiane, prej marrëdhënievet me botën përtej Adriatikut, dhe vazhdoi të
mbetej për pesë shekuj akoma n'errësirën e Mesjetës ku e mbylli sundimi otoman.
Gjatë luftavet të paprera të shekullit XV, gjatë asaj qëndrese të paepur që bëri
Skënderbeu, vendi u shkretua keqas, burrat e aftë u vranë, një pjesë e popullsisë u
ther, u kap si skllave ose vdiq urie, një pjesë tjetër m'e madhe akoma mërgoi në dhe të
huaj, fushat pothuajse u zbrazën, banorët e vjetër të disa qyteteve u shpërngulën prej
Shqipërie.

Mërgime Shqiptarësh pat pasur edhe në shekujt e mëparshëm, sidomos në drejtim të


Greqisë. Në gjysmën e parë të shekullit XIV, grumbuj të gjerë Shqiptarësh patën
zbritur në Thesali, n'Atikë, në Moré e deri në n'ishujt e Egjeut, të shtytur nga Stefan
Dushani, i cili desh t'i përdorte si ushtarë për qëllimet e veta dhe njëkohësisht t'i
largonte prej tokavet të Shqipërisë. Theodor Spandolicio thotë se perandori i Bizantit,
Jan Kantakuzeni, mbasi nuk i sundonte dot Shqiptarët, u muar vesh me mbretin e
Serbisë për t'i dërguar ata si ushtarë në Moré duke iu dhënë si shpërblim tokat më të
mira. Pasi u vendosën atje, ata tërhoqën edhe familjet e tyre duke e zbrazur Shqipërinë
prej burravet më t'aftë e më trima, për dëm të madh të saj dhe të Krishtërimit1.
Mërgimet e Shqiptarëvet gjer në jugë të Greqisë vazhduan edhe në gjysmën e dytë të
shekullit XIV, gjatë sundimit të Gjin Bua Shpatës. Këta Shqiptarë patën ruajtur gjuhë
e zakone gjer tani vonë dhe kanë lozur një rol të madh në luftën e pavarësisë greke
dhe në rimëkëmbjen e Greqisë.

Por mërgimet e shekullit XV, që ngjajtën pas vdekjes së Skënderbeut, janë ato më të
mëdhatë, dhe vazhduan valë valë në drejtim t'Italisë, sidomos në krahinat e Mbretërisë
së Napolit të cilat ndodhëshin më afër Shqipërisë dhe qenë çpopullsuar nga luftat e
brendëshme. Disa grupthe Shqiptarësh, t'ardhur si merçenarë nën kumandën e
Dhimitër Reres më 1448, dhe të tjerë që patën mërguar në verën dhe vjeshtën e vitit
1467 për t'i shpëtuar tmerrit t'ushtërivet turke, qenë vendosur në Kalabri e Siqeli qysh
përpara vdekjes së Skënderbeut. Por ikjet e mëdha rrodhën pas vdekjes së kryetrimit,
prej vitit 1468 gjer më 1478-1479 me rënien e Krujës dhe të Shkodrës, duke vazhduar
hove hove edhe pastaj, sidomos në vjetët 1481, 1485, 1492 dhe 1506. Masa m'e
madhe e këtyre të mërguarëve ishte nga Shqipëria e jugës dhe e Mesme, prandaj u
hodh në Mbretërinë e Napolit duke ndjekur udhën më të shkurtër dhe u vendos
sidomos në krahinat e Kalabrisë e të Siqelisë. Kurse ata që ikën prej Shqipërisë së
veriut, sikurse banorët e Shkodrës, të Leshit etj., u mërguan në Venetik dhe nëpër
qytetet e Dalmacisë. Mërgimet në këto drejtime vazhduan edhe në shekujt XVI e
XVII por në një shkallë më të kufizuar. Kështu, për t'i shpëtuar pushtimit turk, u
larguan prej Shqipërie lart nga dyqind mijë frymë, shumica e të cilëvet kërkoi strehë
n'Italinë e jugës. Më vonë, pas vitit 1532, kur Turqit shtinë përsëri në dorë qytetin
Korone të Moresë (Pelloponezit) duke i përzënë që andej forcat spanjolle, mërguan
n'Itali, me ndihmën e perandorit Karli V, edhe disa dhjetra mijë Shqiptarë të Greqisë
(nga ata që kishin zbritur në Moré në shekullin XIV). Këta u shpërndanë nëpër
kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Siqelisë, ku përhapën këngën e mallëngjyer që
këndohet edhe sot: "Oj e bukura Moré!."

Në mbarim të shekullit XV dhe në fillim të të XVI-it, burimet arkivale italiane


përmendin grupe Shqiptarësh të mërguar, që nga Venetiku gjer në Siqeli. Na therin
zemrën edhe sot vuajtjet e këtyre fatzezve të rreckosur, t'urët e si mos më keq, mbetur
udhëve të botës pa ndihmë e pa përkrahje. Një pjesë e tyre vdiqën nga uria ose nga
sëmundjet nëpër skelat e Italisë. Papa Pali II, në një letër drejtuar Dukës së Burgonjës,
e përshkruante kështu mjerimin e këtyre të shkretëve: "Nuk mund t'i shohë njeriu pa
derdhur lot këta të mërguar që vinë nga Shqipëria nëpër skelat e Italisë, të shpërngulur
nga vatrat e tyre, t'uritur e copë e trokë; këto gra me fytyra të brengosura, që rrinë anës
së detit, ngrenë duart në qiell edhe qajnë e vajtojnë në një gjuhë që s'ua kuptojmë dot.
Kur arrijnë n'Itali mbeten aty ku zbresin nga anijet, mbasi nuk dinë se ku të venë as
dinë të merren vesh".

Ajo pjesë e këtyre të mërguarëve që u vendos në Dalmaci, në Venetik dhe n'Italinë


qendrore, me kohë e humbi gjuhën edhe u shkri në popullsinë e vendit. Kurse n'Italinë
e jugës, sidomos në Kalabri dhe në Siqeli, u ngul një numër m'i madh, përmbi njëqind
mijë Shqiptarë që formuan fshatra e komune të tyre; prandaj e ruajtën gjuhën bashkë
me folklorin, zakonet dhe traditat kombëtare gjer tani vonë. Për të ruajtur këto, i
ndihmoi edhe riti fetar orthodoks, i cili i mbante të ndarë nga popullsia italiane. Kurse
Shqiptarët katolikë u shkrinë më shpejt në popullsinë e vendit. Disa nga këta grupe
Arbëreshësh flasin shqip edhe sot dhe këndojnë shqip në kishë e në të kremte,
megjithëqë nuk kanë shkolla në gjuhën amtare. Siç do t'a shohim më poshtë,
Arbëreshët e Italisë kanë lozur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë kombëtare
gjatë shekullit XIX.

Përveç mërgimevet jashtë atdheut, pat edhe shpërngulje të brendëshme të popullsisë.


Pjesa m'e madhe e fshatarëvet të vendevet t'ulëta i la fushat edhe u fut malevet duke u
mbyllur në një varfëri të mjeruarshme. Nëpër fushat hipën ferrat, kallamishtet e
moçalet. Qytetet u zbrazën nga banorët e vjetër të tyre. Pjesa e kulturuar, klerikët,
tregëtarët, zejtarët, ikën me shumicë prej Shqipërie duke e varfëruar vendin nga
njerëzit e kulturës dhe t'artevet. Qytete të lulëzuara dhe të zbukuruara me monumente
e vepra arqitekture - kështjella, pallate, kisha e manastire, me piktura e skulptura
artistike - si Drishti, Sarda, Danja, Vulpiani, Petrela, Guri i Bardhë, Stellushi, Tornaçi,
Sfetigradi, Shirgji, Spinarica etj., ranë dhe u zhdukën përgjithmonë. Qytetet e mëdha,
me histori të vjetër, që kishin qënë me shekuj qendra kulture, tregëtie e zejtarie, si
Durrësi, Shkodra, Leshi, Kruja, Berati, Kanina, Vlora, Gjirokastra etj., e humbën
shkëlqimin e dikurshëm bashkë me numrin e popullsisë dhe mbetën si një kujtim i
zymtë i së kaluarës.
Luftat e paprera, çfarosja e një pjese të popullsisë, shkretimi me zjarr e me hekur,
mërgimi jashtë atdheut i njerëzve të kulturës, t'arteve e të zejtarisë, mërgimi i
fshatarëvet ose tërheqja e tyre nëpër malet ku vdisnin nga uria, e varfëruan vendin për
së tepëri, e rrëzuan shumë poshtë shkallën ekonomike e kulturore të tij, e cila në
shekujt XIV e XV ishte aq e lartë sa rrinte krahas me atë të popujvet më të përparuar
t'Evropës. Në shekullin XVI shihet kudo në Shqipëri një rënie e tmerrshme
ekonomike e kulturore dhe e jetës qytetare.

Me gjithë vështirësitë që gjetën në qëndresën e Shqiptarëvet, sidomos nëpër krahinat


malore, Turqit u munduan të vinin administratën e tyre, të bënin regjistrimin e plotë të
tokavet dhe të vendosnin mbi këto regjimin feudalo-ushtarak otoman.

Qysh përpara kryengritjes së Skënderbeut, mbasi shtypën Gjon Kastriotin më 1430


dhe shkelën tërë Epirin më 1431, Turqit iu përveshën regjistrimit dhe organizimit të
tokavet, të cilat i mblodhën në një sanxhak më vehte - i quajtur sanxhaku i Shqipërisë
- me qendrën në Gjirokastër. Më 1432, ishte kryer pothuajse regjistrimi i parë i
tokavet që përmblidhëshin në këtë sanxhak, prej Çamërisë gjer në Shqipërinë e
Mesme. Mbetëshin jashtë këtij organizimi, përveç qytetevet që sundonte Venetiku,
principata e Gjon Kastriotit, në veri, dhe ajo e Dukagjinëvet e cila shtrihej gjer në
Kosovë. Pjesën tjetër të Kosovës dhe të Maqedonisë shqiptare e kishin shkelur Turqit
me kohë, dhe bërë Shkupin, Manastirin, Kosturin baza ushtarake të tyre. Kryengritjet
e Gjergj Aranitit dhe të princave të tjerë, ndërmjet vjetëvet 1433-1437, pastaj lufta e
madhe e Skënderbeut, i përmbysen për disa kohë planet e Turqvet në lidhje me
Shqipërinë duke i përzënë subashët dhe spahinjtë e Sulltanit. Por ca nga ca, darët
turke erdhën duke u shtrënguar rreth shtetit të Skënderbeut: Gjirokastrës, Vlorës,
Beratit iu shtua edhe Elbasani, ndërtuar prej Mehmetit II më 1466 mbi rrënimet e
Valmit të vjetër. Këtë qytet Sulltani e bëri menjëherë qendër sanxhaku për krahinat e
Shqipërisë së Mesme, kurse ato të jugës e kishin tani qendrën në Vlorë. Kështu, në
vend të sanxhakut të dikurshëm të Shqipërisë q'e kish pasur qendrën në Gjirokastër, u
krijuan dy. Pas rënies së Krujës dhe së Shkodrës u shtuan edhe dy sanxhaqe te tjerë
me qendra Shkodrën dhe Ohrin. Sanxhakut të Shkodres iu ngjiten më vonë krahinat e
Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, si edhe ato të Malit-të-Zi. Kurse me sanxhakun e
Ohrit, përveç Krujës, Matit, Dibrës, u lidhën edhe disa pjesë shqiptare të Maqedonisë.
Këta sanxhaqe, sikurse edhe të tjerët në Ballkan, varëshin të gjithë nga ejaleti i
Rumelisë. Siç shihet, në vend që t'i mblidhnin tokat shqiptare në një sanxhak të vetëm
të Shqipërisë ashtu si bëne më 1432, Turqit i ndanë këto në shumë sanxhaqe me
qëllim copëtimi. Dhe këte politikë e vazhduan gjer në fund. Me riorganizimin që bëri
Sulltan Sulejman Kanuniu, në shekullin XVI, tokat shqiptare u ndanë në shtatë
sanxhaqe. Në jugë, përveç sanxhakut të Vlorës, u krijua edhe ai i Delvinës që përfshiu
krahinat e Gjirokastrës dhe tërë Çamërinë, të cilat më parë lidhëshin me Vlorën. Në
veri, sanxhakut të Shkodrës iu hoqën krahinat e Kosovës, të cilat formuan sanxhakun
e Prizrendit, si edhe Peja me rrethet e Dukagjinit, që formuan sanxhakun e Dukagjinit.
Kurse sanxhaku i Elbasanit edhe ai i Ohrit mbetën të pandryshuar. Të gjithë këta
sanxhaqe varëshin, si edhe më parë, nga ejaleti i Rumelisë. Çdo sanxhak ndahej në
njësi administrative më të vogla, të cilat quhëshin kaza ose nahije. Në krye t'ejaletit
qëndronte një bejlerbej si qeveritar i përgjithshëm. Në krye të çdo sanxhaku kishte
një sanxhakbej, dhe të çdo kazaje, një subash ose, siç u quajt më
vonë, myteselim. Pastaj vinin, çeribashi, që ishte kumandar i gjindarmërisë së qytetit,
dhe dizdari, kumandar i kështjellës. E tërë kjo hierarki ushtarake varej prejbejlerbeut.

Por baza e sistemit feudalo-ushtarak otoman ishin spahinjtë, të cilët përbënin


kalorësinë turke. Këta shpërblehëshin me toka të quajtura përgjithësisht timare, nga të
cilat nxirnin shpenximet për vehte e për njerëzit e tyre, dhe duhej të rendnin në luftë
gjithsaherë që i thërriste Sulltani. Përveç timarevet, u krijuan edhe prona më të mëdha,
të quajtura zeamete dhe hase. Këto iu ngjanin pronievet bizantine. Mbasi të gjitha
tokat i përkisnin, në parim, Sulltanit, ky ua shpërndante si të donte besnikëvet të tij
dhe u a hiqte kur të donte. Spahinjtë, sanxhakbenjtë etj., merrnin vetëm një pjesë të
prodhimit mbi tokat që iu ishin dhënë, por nuk kishin tituj pronësie. Vetëm më vonë,
në shekullin XVIII, kur Perandoria Otomane mori të tatëpjetën, e muarën edhe
spahinjtë, bejlerët e pashallarët frerin nëpër këmbë dhe zunë t'i bënin prona të tyre ose
çifliqe, atje ku mundnin, tokat që kishin pasur si timare a zeamete.

Përveç hierarkisë ushtarake, kishte n'administratën turke edhe një hierarki civile, në
krye të së cilës qëndronin kadilerët. Këta ndanin gjyqet, sipas sheriatit ose "ligjevet të
shenjta" të Kuranit, dhe rregullonin çështjet që i përkisnin së drejtës civile. Pastaj
vinin nëpunësit, sekretarët, që merrëshin me shërbime të ndryshme. Në parim,
kadilerët varëshin drejtpërdrejt prej Sulltanit dhe jo prej hierarkisë ushtarake. Në
kohët e para, qenë shpërblyer me toka edhe kadilerët dhe nëpunësit e administratës
civile. Por më pastaj, këta mbahëshin me rroga.

Si bazë e krejt legjislacionit turk qëndronte sheriati, domethënë ligji kanonik


mysliman. Për t'ua përshtatur këtë zakonevet dhe konditavet shoqërore-ekonomike të
krahinavet të ndryshme të Perandorisë, qenë hartuar kanunname të cilat ndryshonin
sipas sanxhakëvet. Më të plotat ishin ato që u shpallën nën mbretërimin e Sulltan
Sulejman Kanuniut. Por kanunnametë ndryshohëshin shpeshëherë sipas nevojavet të
reja, ose plotësohëshin me anën e fermanevet (dekretevet) dhe fetfavet.

Në shekujt e parë të sundimit otoman, toka ndahej në disa lloje pronash, si ato që
pamë më sipër ose edhe të tjera, me anën e të cilavet shpërblehej klasa feudalo-
ushtarake që i shërbente Sulltanit. Kësi shpërblimesh iu jepëshin edhe instituteve
fetare, deri edhe peshkopëve të krishterë. Por në të vërtetën këto nuk ishin prona të
trashëguarshme, veçse një e drejtë për të marrë mbi fshatarin një pjesë të prodhimit,
që ishte e dhjeta e zakonshme. Nëqoftëse titullari i kësaj të drejte nuk i përmbushte
detyrat e tija kundrejt Sulltanit, kjo e drejtë i hiqej dhe i jepej një tjetri. Natyrisht,
spahinjtë, sanxhakbenjtë etj., mund të përdornin mënyra të ndryshme për t'a
shfrytëzuar fshatarin, por me ligj nuk duhej t'i mernin më tepër se një të dhjetën e
prodhimit. Pastaj vinin taksat e tjera, si ispenxha që i paguhej timariotit çdo vjet prej
familjevet fshatare, xhizja, ose taksë për kokë që paguanin të Krishterët, dhe xhelepi
ose taksa e bagëtivet. Qytetarët, përveç ispenxhës e xhizjes, paguanin vergjinë për
shtëpitë a dyqanet, dhe taksën e pazarit për shitje-blerje. Veç këtyre, kishte edhe taksa
të rastit për fshatarë e qytetarë, sikurse gjobat ose taksa e nijabetit, etj.

Ndonëse me fjalën rajà, që u përdor më vonë për të Krishterët, Turqit quanin në fillim
të gjithë bujqit e nënshtruar, fshatari gëzonte një farë statuti juridik në Perandorinë
Otomane dhe toka që punonte ishte e tija deri sa u përhap më pastaj sistemi i
çifliqevet. Timarioti s'kishte të drejtë t'i merrte më shumë se një të dhjetën e
prodhimit. Gjer tani, historitë e shkruara mbi Perandorinë Otomane nuk janë akoma
tërësisht të xhveshura nga paragjykimet fetare, nga urrejtjet kombëtare, ose nga
përshtypja e keqe që ajo pati bërë në kohët e vona në krahasim me Evropën moderne.
Por në shekujt e hershëm, nënshtetasit e saj gëzonin sigurisht liri, të drejta dhe
tolerancë fetare më shumë se sa popujt e Evropës së Perëndimit. Legjislacioni i shtetit
turk n'atë kohë ishte m'i përparuar se sa ai i Evropës, klasët shoqërore nuk ishin aq të
ndara dhe aristokracia nuk ishte aq egërsisht e privilegjuar si në Perëndim. Dihet se,
përpara Revolucionit Frëng, fshatarësia n'Evropë kishte mbetur si mushka që mbante
në kurriz shtetin dhe Kishën, salltanetin e aristokracisë dhe të klerit të lartë. Për të
mbajtur këtë barrë, detyrohej të jepte gjer më katër të pestat e prodhimit dhe të
rënkonte tërë vitin në punë angarie. As ka krahasim midis gjendjes së fshatarit në
Perandorinë e hershme Otomane dhe t'asaj në regjimin komunist të sotshëm, i cili
përfaqëson formën e skllavërisë më të tmerrshme dhe më t'urrejtur që ka njohur
njerëzia. Sepse banda e kriminelëvet të neveritshëm që përbëjnë partinë komuniste, jo
vetëm që e shfrytëzon fshatarin gjer në palcë, po përveç trupit i torturon edhe mendjen
e shpirtin duke e bërë njerinë rreckë fizikisht dhe moralisht.

Regjimi feudalo-ushtarak turk nuk mundi të vendosej dot tërësisht mbi të gjithë
Shqiptarët. Malësitë, si Mirdita, Dukagjini, Malësia e Madhe, në veri, Himara, Suli e
Kurveleshi, në jugë, mbetën pothuajse të lira dhe rrallëherë i paguan taksa Turqisë.
Veçse Perandoria Otomane përdori të gjitha mjetet e përçarjes për t'i mbajtur
Shqiptarët n'errësirë, të ndarë nga njëri-tjetri, dhe për të shfrytëzuar gjakun e tyre pa
kursim. Ndonëse që në kohët e para të sundimit otoman shumica e spahinjvet dhe e
tërë klasës feudalo-ushtarake q'e pat qeverisur vendin n'emër të Sulltanit ishin
Shqiptarë, myslimanë ose edhe të krishterë, Turqia mundi t'a mbante Shqipërinë të
ndarë e të përçarë dhe të ndalonte rreptësisht mësimin e gjuhës shqipe, me një
kokëfortësi djallëzore, gjer sa theu qafën më 1912.
Ndarjevet administrative në shumë sanxhaqe, që kishin për qëllim të thyenin njësinë e
vendit, iu shtua më vonë edhe ndarja fetare.

Ilirianët kanë qënë një nga të parët popuj që pranuan fenë e krishtere. Perandori q'e
njohu për të parën herë krishterimin si fe zyrtare ishte Ilirian: Kostandini i Madh. Me
sa kuptohet nga fjalët kishtare që përmban gjuha shqipe, të cilat vinë prej latinishtes,
krishterimi tek të Parët t'onë u predikua nga misionarët e Romës. Edhe pas ndarjes më
dysh të Perandorisë Romake, krahinat e dioqezës Illyricum mbetën të lidhura fetarisht
me Romën. Perandori i Bizantit, Leoni III Isauriani, i shkëputi nga Roma, më 734,
dhe i vuri nën Patrikun e Kostandinopojës. Por ndërmjet Patrikanës Greke dhe Ilirisë
shtrihëshin si një mur pengese Bullgarët dhe Serbët, të cilët n'atë kohë ishin akoma
paganë. Kështu, me gjithë përpjekjet e Kishës së Lindjes, një pjesë e mirë e
Shqiptarëvet mbeti nën ndikimin e Kishës së Romës. Kur u bë ndarja e dy Kishavet
më 1054, Shqipëria e veriut u gjend katolike dhe ajo e jugës, orthodokse. Por në të
vërtetën nuk ka pasur kurrë kufij të caktuar ndërmjet besimtarëve të dy ritevet. Animi
i shumicës së tyre nga njëra apo tjetra Kishë varej prej ndikimevet (influencavet)
politike të jashtëme. Kryqëzatat me ndërhyrjet e Perëndimit, nga njëra anë, sundimi i
Bizantinëvet ose i Serbëvet, nga tjetra, i patën bërë Shqiptarët (sidomos krerët e tyre)
të ndërronin Kishë sipas politikës së ditës. Balshajt qenë të parët që deshën t'a
këthenin të tërë Shqipërinë në katolikizëm, ndoshta për kundërshtim me Sllavët
orthodoks ose për interesat që kishin me Perëndimin. Më vonë, Skenderbeu ndoqi të
njëjtën politikë fetare edhe u lidh vendosmërisht me Romën.

Mbi të dy Kishat u përhap më vonë edhe islamizmi. Disa nga princat dhe krerët
shqiptarë, ndoshta për arësye politike dhe sa për sy e faqe, kishin nisur të këtheheshin
muhamedanë që përpara Skënderbeut, siç kemi shembullin e Gjon Kastriotit dhe të
vetë herojt tonë kombëtar. N'organizimin e parë të Shqipërisë që bënë Turqit më 1432,
prej 335 t'emëruarve në kumandat ushtarake ose n'ofiqet civile, më shumë se gjysmët
ishin Shqiptarë të kthyer myslimanë. Kemi pasur rast të shohim emrat e Ballaban
Pashës, të Jakup Arnautit, t'Ahmet Gjedik Pashës etj., të cilët ishin prej kombësisë
shqiptare. Shumë nga këta kishin qënë marrë që të vegjël, si devshirmë, gjatë
shpeditavet turke në Shqipëri. Me fjalën devshirmë, Turqit quanin fëmijët që
rrëmbenin nëpër popujt e krishterë dhe që i rritnin pastaj nëpër kazermat si ushtarë
duke i fanatizuar në fenë islame dhe në besnikërinë ndaj Sulltanit. Prej këtyre përbëhej
ushtëria e famshme e jeniçerëvet. Shpeshëherë, disa nga këta dërgohëshin nëpër
krahinat e vendlindjes si sundimtarë turq ose për të shtypur kryengritjet e
bashkëkombasvet të tyre. Duke i njohur cilësitë luftarake të Shqiptarëvet, Turqit patën
rrëmbyer shumë fëmijë në Shqipëri, disa prej të cilëvet patën arritur shkallët më të
larta në Perandorinë Otomane.

Pas vdekjes së Skënderbeut, shumë krerë shqiptarë u kthyen myslimanë për të ruajtur
pozitat e tyre duke e qeverisur vëndin n'emër të Sulltanit. Por populli qëndroi i
krishter për më se njëqind vjet akoma. Këthimi i masavet të gjera në fenë islame ngjau
në shekullin XVII dhe vazhdoi deri në të XVIII-in. Ky këthim n'islamizëm, që
përfshiu dy të tretat e popullsisë, u bë pothuajse i përgjithshëm në Shqipërinë e
Mesme, dhe në një shkallë mjaft të gjerë në Shqipërinë e jugës e n'atë të veriut,
sidomos në Kosovë.

Arësyet e kësaj ndodhie mund të jenë të shumëta. Si një nga shkaqet hyn sigurisht
ndikimi i fuqisë pushtonjëse me shtrëngimet e tërthorta, sidomos me anën e taksavet
të rënda që duhej të paguanin të Krishterët. Por nuk duhet përjashtuar as ambicja e
njohur e Shqiptarëvet për t'u lartësuar në grada e n'ofiqe, të cilat s'mund t'i arrinin dot
po të mos këthehëshin myslimanë. Sepse Turqit, me sa dihet, nuk patën përdorur
forcën drejtpërdrejt për t'islamizuar popujt e krishterë. Më të ashpër qenë treguar
kundrejt Shqiptarëvet katolikë, në veri, të cilët lidhëshin me Kishën e Romës armike e
papajtuashme e Turqisë. Kurse Patrikana e Stambollit ishte nën mbrojtjen e Sulltanit
dhe Orthodoksit gëzonin një farë sigurie. Katolikët ishin gjithmonë gati të lidhëshin
me fuqitë perëndimore, siç ngjau në kohën e luftës turko-venetikase që shpërtheu më
1645, dhe në disa raste të tjera gjatë shekullit XVII. Por Perëndimi i pat lënë
gjithmonë në baltë, e prandaj, kur shtypëshin kryengritjet e tyre, pjesë të popullsisë
këthehëshin n'islamizëm për t'iu shpëtuar ndjekjevet. Vetëm kur filluan luftat ruso-
turke, në shekullin XVIII, pushuan shtrëngimet kundrejt Shqiptarëvet katolikë, të cilët
gazonin edhe një farë mprojtjeje nga anë e Austrisë. Mirëpo n'atë kohë nisën të
bëhëshin shtypje kundër Orthodoksvet që shikohëshin si aliatë të Rusisë. Prandaj disa
prej këtyre përqafuan fenë islame në shekullin XVIII.

S'ka dyshim që Turqia kishte shumë interes t'a këthente myslimane Shqipërinë
katolike, e cila ishte krye-ura e Perëndimit në Ballkan. Gjatë luftavet të vazhduarshme
me fuqitë perëndimore, përdorte shtrëngime për t'i mbajtur Katolikët në fre. Por
arësyeja m'e thellë e këthimit të shumicës së Shqiptarëvet n'islamizëm duhet kërkuar
në fondin shpirtëror të tyre. Përgjithësisht Shqiptarët nuk kanë qënë një popull fetar,
as nuk mund t'ishin duke mos pasur një Kishë të tyren me liturgjinë dhe librat e
shenjta në gjuhën shqipe. Nuk patën formuar dot një kulturë të lartë kombëtare me një
letërsi dhe histori të shkruar, një qendër të brendëshme mendimi e diturie që t'i mbante
shpirtërisht të bashkuar. Prandaj s'mund të kishin as një bosht politik të tyren, rreth të
cilit të qëndronin të lidhur si njësi ethnike. Gjatë shekujvet, qenë mësuar të shikonin
herë nga Lindja herë nga Perëndimi, por kurrë përbrenda tyre. Kishin qënë herë
katolikë e herë orthodoks. Prandaj, më vonë, nuk do t'iu jetë dukur si një gjë e
jashtëzakonshme që të vështronin edhe nga myslimanizmi. Megjithatë, s'duhet harruar
nxehtësia me të cilën luftuan në kohën e Skënderbeut për të mprojtur fenë e krishtere
dhe zakonet. Dhe për të ruajtur këto, një pjesë e madhe e tyre u mërgua jashtë
Shqipërie. Mirë po, gjatë sundimit otoman, duke mos pasur Shqiptarët një vatër
fetaro-kulturore të brendëshme ku të pregatiteshin klerikët dhe duke pritur që këta t'iu
vinin nga Roma ose nga Patrikana, rrugët u vështirësuan, kleri u rrallua tepër dhe ra
në një shkallë t'ulët paditurie. Shumë katunde nuk dëgjonin kurrë një meshë as shihnin
një shërbim fetar prej kushedi sa vjetësh. Kjo gjendje e ndihmoi përhapjen e
islamizmit.

Në fillim, këthimi në fenë islame, që nisi me parësinë e vendit, ishte fare i përciptë
dhe sa për t'u dukur përpara autoriteteve. Nganjëherë këthehej vetëm kryetari i
familjes, i cili merrte një emër muhamedan, kurse njerëzit e tjerë të shtëpisë
vazhdonin në fenë e vjetër. Shumë nga këta Myslimanë, kur mundnin, sidomos nëpër
të kremtet e mëdha, shkonin edhe nëpër kishat dhe jepnin ndihma për mbajtjen e tyre.
Kryepeshkopi i Tivarit, Marino Bizzi, në një letër që i drejtonte Vatikanit më 1610,
shkruante: "Ditën e Shën Ilisë, kisha ishte mbushur me Muhamedanë e të Krishterë
pothuajse barabar nga numri". Në të njëjtën letër, Kryepeshkopi i Tivarit pohonte se
shumë prindër të krishterë i martonin vajzat e tyre me djem muhamedanë, dhe ato e
vazhdonin akoma fenë e vjetër duke ua lënë deri diku edhe fëmijëvet. Vetëm nga
shekulli XVIII dhe gjatë të XIX-it, një pjesë e Myslimanëvet në disa krahina u
fanatizua, sidomos nëpër qytetet në Shqipërinë e Mesme dhe në Kosovë. Por pjesa m'e
madhe mbeti gjithmonë e përciptë.

Pas copëtimit administrativ të vendit, ndarja e Shqiptarëvet në tri fe dhe anarkia që u


krijua pastaj e përçanë kombësinë shqiptare më tepër se ç'kishte qënë në Kohën e
Mesme. Përpjekjet e bëra në gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe sidomos n'atë të
XV-in me Skënderbén për bashkimin e Shqipërisë në një shtet të pavarur, u duk sikur
shkuan humbur për gjithmonë. Jehona që la pas epopeja kastriotiane vazhdoi për disa
kohë në malet e Shqipërisë dhe u bënë kryengritje aty-këtu, në shekujt XVI e XVII,
me qëllim shkëputjeje nga Turqia. Shqiptarët ishin të gatishëm për të lëvizur saherë që
shikonin një farë shprese nga jashtë, por askush nuk i përkrahte. Kur dukej sikur
Spanja po hynte në luftë kundër Turqisë ose Turqit vinin në përpjekje me Hungarezët
dhe Polakët, Shqiptarët kërkonin menjëherë ndihmën e jashtëme n'armë e municione,
zakonisht nëpërmjet të Papës, për të bërë kryengritje. Por s'patën kurrë një ndihmë.

Në krye të shekullit XVII u mblodhën disa kuvende të rëndësishëm, sidomos ai që u


mbajt në katundin Dukagjin të Matit më 1601 dhe dy të tjerë në Malësinë e Madhe,
për të biseduar mënyrën e organizimit të kryengritjes dhe gjetjen e armëvet. Këto
përpjekje vërtetojnë se ideja e lirisë dhe e pavarësisë nuk u shua në malet shqiptare,
por erdhi duke u ngushtuar deri sa u kufizua në rrethin e krahinës a të fisit. Një
dokument i vlefshëm për të treguar lëvizjet dhe mendimin e Shqiptarëvet n'atë kohë
është raporti që kleriku dhe shkrimtari shqiptar, Pjetër Budi, i paraqiti Kardinalit
Gozzadini, në Romë, më 1621. Budi kërkonte ndihmën e Perëndimit për të mbështetur
luftën e Shqiptarëvet, të cilët ishin gati për kryengritje. Përveç disa njohurive që na jep
mbi gjendjen ekonomike e shoqërore t'atëhershme, raporti i Budit hedh dritë mbi
ndjenjat e përbashkëta të Shqiptarëvet, të krishterë e myslimanë, parësi e vegjëli. Në
një kryengritje kundër Turqvet, shkruante Budi, të Krishterët do të luftonin bashkë me
Myslimanët, me të cilët ishin në marrëveshje, dhe do të merrnin sigurisht pjesë mjaft
krerë nga parësia myslimane. Sa për fortesat, mendonte ai, ato mund të merrëshin pa
luftë me anën e ushtarëvet shqiptarë që shërbenin n'ushtërinë turke. Shqiptarët kishin
nevojë për udhëheqës, për armë e municione, se nga numri ishin mjaft ata vetë për t'iu
qëndruar Turqvet me forcat e tyre.

Ndërmjet vjetëvet 1610 e 1613 patën ngjarë kryengritje e luftime të përgjakshme në


krahinat e Dukagjinit dhe të Malësisë së Madhe. Turqit dërguan fuqi të shumta, por
nuk e shtruan dot vendin plotësisht. Më 1639, Kelmendasit prishën ushtërinë e Vuço
Pashës, bejlerbeut të Bosnjës, që përbëhej prej 15.000 vetash. Ky iu fut Malësisë së
Madhe në mes të dimrit, duke menduar se Shqiptarët nuk do të largohëshin dot prej
shtëpivet me gra e fëmijë. Por Kelmendasit "me nji zân: Eja kush asht trim" - siç thotë
shkrimtari shqiptar i asaj kohe, Pjetër Bogdani - "mbledhunë afër 500 vetë, vranë
Vuçe Pashënë, vjetit së Krishtit 1639. E ndë nevojë mpsuen me ngranë lëkurën e
qarrit possi të begatëtë majën e miellit..."

Kryengritjet e kohëpaskohëshme vazhduan edhe në jugë, sidomos në Himarë e në


Kurvelesh. Por me kalimin e shekujvet, këto lëvizje e humbën kuptimin kombëtar të
pavarësisë dhe bëhëshin për mospagimin e taksavet ose për të shkëputur të drejta
krahinore.

Në vija të përgjithshme, Perandoria Otomane, e vuri një farë rregulli në Shqipëri,


veçanërisht nëpër qytetet dhe zonat e shkelshme. Vendi nuk ishte më një shesh
invadimesh nga jashtë sikurse pat qënë në të gjitha kohët, as fushë luftash feudale q'e
mbanin në një trazirë të përhershme. Filloi të njihte deri diku një periudhë qetësie për
të cilën kishte shumë nevojë. Prandaj, me punimin e rregullt të tokavet dhe me
zgjerimin e tregëtisë, edhe ekonomia nisi të mëkëmbej nga mbarimi i shekullit XVI e
në të XVII-in duke i dhënë hov zhvillimit të qytetevet. Përmirësimi ekonomik sjell, si
rrjedhim të natyrshëm shtimin e popullsisë. Raca shqiptare zuri t'a merrte vehten nga
hemoragjia dhe mërgimet e shekullit XV, si edhe nga topitja që ndjeu në gjysmën e
parë të të XVI-it. Prodhimet bujqësore u shtuan, tregëtia filloi të hapej edhe me botën
e jashtëme, një zejtari mjaft e përparuar rilindi nëpër qytetet, e cila punonte armë e
pajisje kuajsh, hekurishte e bakëre, poçe e sende të drunjta, shajak e pëlhura vendi,
sidomos mëndafshe, qëndima të bukura, lajlisje ergjëndi edh' ari.

Skela m'e rëndësishme e Shqipërisë u bë Vlora, prej së cilës delnin jashtë prodhime
bujqësore e lëndë të para dhe hynin prej Evrope pëlhura, cohëra e të tjerë mallra të
fabrikuar. Kurse qyteti m'i madh u bë Berati, si numër popullsie dhe si qendër kulture
orientale. Pas këtij vinin Elbasani, Gjirokastra, më vonë e mori edhe Shkodra pamjen
e dikurshme. Në Kosovë e Maqedoni, përveç Shkupit, Manastirit, Kosturit,
dallohëshin Ohri, Tetova, Prizrendi, Gjakova, Peja, Prishtina, Vuçiterni, Mitrovica,
Kumanova etj. Në shekullin XVIII, u ngrit përsëri Janina si kryeqendër e Epirit dhe
shkëlqeu Voskopoja.

Mjerisht, kultura që përhapej nëpër qytetet ishte greke ose turko-arabe. Mbasi mësimi
n'ato kohë lidhej me fenë dhe shkollat mbahëshin prej institutevet fetare, është afër
mendsh që s'mund të kishte shkolla shqipe. Po edhe më vonë, në shekullin XIX, kur
arësimi laik mbahej prej shtetit, qeveria turke, në bashkëpunim me Patrikanën greke,
ndaloi rreptësisht çdo shkollë e përhapje mësimi në gjuhën shqipe.

Duke mos pasur kombësia shqiptare një letërsi të shkruar në gjuhën e saj, armiqtë e
jashtëm janë munduar t'a shuanin e ta shkrinin nëpër kulturat e tyre me anën e kishës
ose të xhamisë. Këtë lloj lufte, Grekët, Turqit dhe Sllavët ia kanë bërë me aq tërbim sa
edhe luftën me armë.

Siç e pamë, pushtimi turk i ra Shqipërisë në një kohë kur kjo s'e kishte arritur akoma
bashkimin e plotë si shtet e si tërësi ethnike. Një komb s'mund të ketë bashkim
organik pa gjuhë e letërsi të shkruar. Ndoshta shqipja kishte nisur të shkruhej shumë
kohë përpara Skënderbeut, sikurse vërtetohet nga një raport i vitit 1332 drejtuar
mbretit të Francës, Philippe de Valois, prej kryepeshkopit të Tivarit, Gulielm Adam,
ose, siç besohej gjer tani vonë, prej një murgu gjerman të quajtur Brokard. Në raportin
thuhet: "Ndonëse Shqiptarët kanë një gjuhë më vehte krejt të ndryshme prej
latinishtes, në marrëdhëniet e në gjithë librat e tyre përdorin shkronjat latine". Por si
dokumenta të shkruara në gjuhën shqipe, përpara shekullit XVI, nuk kemi veçse
formulën e pagëzimit, shkruar me abecenë latine më 1462, dhe një copëz t'Ungjillit të
Mattheut që këndohet natën e Pashkëvet në ritin orthodoks, përkëthyer shqip me
abecenë greke. Ky dokument i dytë është m'i vjetër nga formula e pagëzimit dhe hipën
ndoshta gjer në shekullin XIV. Kemi pastaj një fjalorth prej nja tridhjetë e ca fjalësh
dhe shprehjesh të gjuhës shqipe, si edhe numërat gjer më dhjetë, mbledhur prej
kalorësit Arnold von Harff nga Kolonjë e Gjermanisë, i cili pat udhëtuar nëpër
Shqipëri ndërmjet vjetëvet 1496-1499. Shënimet e kalorësit në fjalë kanë qënë botuar
prej E. von Groote më 1860, dhe pjesa që i përket gjuhës shqipe është ribotuar prej
Karl Hopf-it në Kronikat Greko-Romane pranë Gjenealogjisë së Muzakës më 1873.

Luftat e Skënderbeut i dhanë një vend lavdie Shqipërisë në radhën e popujve


t'Evropës, dhe Shqiptarët, të mbushur me një frymë heroizmi e kryelartë përsa kishin
bërë në fushën e armëvet, do t'ishin shtytur sigurisht prej sedrës kombëtare të thurnin
poema mbi ato ngjarje madhështore, të shkruanin e të krijonin në gjuhën e tyre. Dhe
brenda një kohe të shkurtër, shqipja do të kishte pasur letërsinë e saj. Pushtimi turk i
erdhi si të ngritët që iu bie lulevet në fillim të prendverës. Pjesa m'e madhe e njerëzve
të kulturës u largua jashtë atdheut duke e varfëruar vendin nga vleftat morale e
mendore. Në mërgim e shkroi Marin Barleti, latinisht, veprën e famshme mbi
historinë dhe trimëritë e larta të Skënderbeut. Në mërgim tregoi talentin e tij një tjetër
Shkodran, Marin Beçikemi, si shkrimtar e profesor i Universitetit të Padovës. Por në
mërgim u gjend edhe ai që i ngriti shqipes monumentin e parë, Gjon Buzuku. Ky, "tue
u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja t'ëndigluom nsë Shkruomit Shenjtë
e nsë dashunit së botës sane", shkroi shqip Mesharin e pavdekshëm për "me zdritunë
pakë mendet" e bashkatdhetarëvet të tij. Libri i Gjon Buzukut, botuar më 1555, është
m'i vjetëri i gjuhës shqipe dhe një visar i paçmuar për studimin e saj. Sepse Buzuku, i
cili u lind e jetoi si duket ndë grupet e Shqiptarëvet të mërguar diku në Dalmaci, na
jep të folmet e trajtat më të vjetëra të shqipes, ashtu si flitej në Kohën e Mesme. Prej
tij mësojmë se dialektet e shqipes së hershme nuk ishin ashtu si sot, nuk kishin të
njëjtat shtrirje gjeografike, dhe ndryshonin fort pak ndërmjet tyre. Meshari mbetet
vepër monumentale në letërsinë tonë.

Mjerisht, në kushtet politike që u krijuan, punimi i gjuhës nuk vazhdoi, dhe mbi
kombin shqiptar u hap ndikimi i kulturavet greke e turko-arabe. Këto desh ia
ndryshuan fare ndjenjat dhe kombësinë.

Shkollat greqishte filluan të hapeshin në shekullin XVII nëpër qytete e katunde të


Shqipërisë së jugës. Por u shtuan sidomos në shekullin XVIII dhe u përgjithësuan në
të XIX-in, kur për hapjen e helenizmit, përveç Patrikanës, e mbështette edhe shteti
grek.

Në shekullin XVI kleri i të dy Kishavet pësoi në Shqipëri një rënie të shpejtë, që


vazhdoi edhe në pjesën e parë të të XVII-it. Roma u perpoq të zhvillonte një farë
veprimtarie fetare me anën e Fretërvet dhe të murgjëvet bazilianë për të shpëtuar
katolikizmin, ose edhe për të sjellë n'unitizëm një pjesë t'Orthodoksvet, por ndeshi në
pengesa të mëdha. Turqia n'atë kohë e kundërshtonte rreptë ndërhyrjen e Kishës së
Romës. Nga ana tjetër, Patrikana e Stambollit, e cila njihej prej sulltanëvet si
përfaqësonjësja e popujvet orthodoks të Perandorisë, nuk hiqte dorë nga autoriteti i
saj. Edhe pas pushtimit të Stambollit prej Turqvet, antagonizmi ndërmjet dy Kishavet
vazhdoi si më parë. Në Shqipëri, nuk u zbut as nga përhapja e islamizmit. Patrikana e
mbante vehten jo vetëm si kreu i orthodoksisë, po edhe si kreu i helenizmit dhe
trashëgimtarja e Perandorisë Bizantine. Prandaj nëpërmjet të fesë kërkonte greqizimin
e Orthodoksvet shqiptarë. Në këtë punë, ndihmohej edhe prej pozitës që ajo gëzonte
në shtetin otoman. Me pushtimin e Stambollit, Sulltan Mehmeti II u shpall si mprojtës
i Kishës Orthodokse dhe i njohu Patrikanës jo vetëm të drejtat e vjetëra n'anën fetare,
po edhe fuqi juridike mbi Orthodoksit. Pas asaj kohe ajo vazhdoi të mbante ndezur e
të përhapte, me anën e fesë, kulturën helenike dhe ndjenjat kombëtare greke. U përpoq
të greqizonte sidomos ata popuj që nuk kishin një Kishë kombëtare të tyren, siç ishte
rasti i Shqiptarëvet. Prandaj priftërinjtë që dërgohëshin në Shqipëri - dhe që
pregatitëshin zakonisht ne Malin e Shënjtë - kishin për qëllim, përveç shërbimevet
fetare, të përhapnin edhe greqishten si gjuhë të folur midis besnikëvet orthodoks.
Myslimanët, nga ana tjetër, hapën nëpër qytetet shkolla fillore turqishte (mektepe), ku
mësohëshin elementet e para të fesë; dhe shkolla më të larta (medrese), të cilat ishin si
një lloj seminari ku, përveç turqishtes mësohej arabishtja ose edhe persishtja, për të
kuptuar Kuranin dhe për të zgjeruar kulturën letrare orientale. S'ka dyshim që edhe
shkollat myslimane, të mbajtura prej vakëfevet, punonin për turqizimin e
Shqiptarëvet.

Siç shihet, këto dy rryma fetaro-kulturore të ndryshme, të kthyera në fanatizëm, mund


t'a ndanin kombin shqiptar më dysh, në dy popuj armiq. Fatmirësisht, nuk arritën
punët gjer n'atë shkallë, megjithëse kjo përçarje i ka prurë dëmin më të madh
kombësisë shqiptare.

Kisha katolike nuk kishte ndonjë arësye se përse t'ishte kundër arësimit shqip, prandaj
jo vetëm që nuk e pengonte, po edhe e përkrahte përhapjen e mësimit në gjuhën
shqipe, sikurse në gjuhët e tjera t'Evropës ballkanike e lindore. Për të pregatitur
kuadrat klerikore të këtyre popujve, qenë themeluar "Kolegji i Shën Athanasit", në
Romë, më 1572, "Kolegji Ilirik", në Loreto, më 1580, dhe sidomos qendra e madhe
për përhapjen e fesë "De Propaganda Fide", në Romë, më 1622.

Kur më 1700 u bë papë Klementi XI Albani, i cili ishte Shqiptar nga origjina,
përhapja e letërsisë fetare në gjuhën shqipe mori një shtytje më të fortë. Me urdhërin e
Papës u mblodh edhe një koncil i peshkopëvet të Shqipërisë, më 1703, i cili u quajt
"Koncili i Arbërit". Klementi XI u interesua për të krijuar një katedër të gjuhës shqipe
në kolegjin e Montorio-s, në Romë, në 1711.

Për fat të keq, veprimtaria e Kishës katolike në Shqipëri ishte ngushtuar, numri i
besnikëvet ishte zvogëluar, dhe librat shqipe nuk gjetën fushë përhapjeje. Por i dhanë
shtytje mësimit të gjuhës tek Arbëreshët e Italisë, të cilët çelën shkolla, sikurse
Kolegjin San Adriano, në San Demetrio Corone, në Kalabri, që lozi më vonë një rol
aq të rëndësishëm jo vetëm për mësimin e shqipes po edhe në përhapjen e kulturës
dhe të ndjenjavet shqiptare.

Në lidhje me arësyet e mësipërme, shkrimtarët e parë të gjuhës shqipe kanë qënë nga
radhët e klerit katolik. Folëm mbi atë më të vjetërin, Buzukun. I të njëjtit shekull është
Lukë Matranga, që lindi në Horën e Arbëreshevet, afër Palermos, në Siqeli, rreth vitit
1560, dhe botoi më 1592 një përkëthim katekizmi në gjuhën shqipe, me
titullin Embsuame e Krështerë. Matranga e kishte rrënjën prej Himare, nga familjet e
mërguara n'Itali që në shekullin XV, të cilat ruanin ritin orthodoks unit (të lidhur me
Vatikanin). Vinë pastaj, në shekullin XVII, të tjerë shkrimtarë shqiptarë të Kishës
katolike, të cilët përkëthyen shqip mësime fetare ose u muarën me gjuhën. Qëllimi i
tyre ka qenë jo vetëm të ndriçonin bashkatdhetarët n'anën e fesë për t'i përmbajtur nga
këthimi n'islamizëm, po edhe të ruanin gjuhën amtare nga humbja e bastardhimi, siç e
thonë ata vetë. I pari në datë, Pjetër Budi (1566-1623), lindur në fshatin Gur i Bardhë
të Matit, përkëtheu mjaft shkrime kishtare në gjuhën shqipe, si edhe një përmbledhje
vjershash, disa prej të cilavet i pati bërë vetë. Përveç kësaj, Budi u përzie edhe në
ngjarjet politike të kohës, siç folëm më sipër mbi letrën e tij drejtuar Kardinalit
Gozzadini. Kërkonte ndihma për Shqiptarët, të cilët ishin gati për kryengritje,
mendonte ai, dhe e shihte çastin të volitshëm për lirimin e Shqipërisë e të krejt
gadishullit ballkanik mbasi ushtëritë turke ndodhëshin të zëna në luftë kundër
Polakëvet. Përkëthimet e Budit përmblidhen në tri vepra kryesore: Doktrina e
Krishterë, botuar më 1618, Pasqyra e t'Rrëfyemit dhe Rituali Roman, botuar më 1621.
Këto si edhe vjershat nuk kanë shumë vleftë letrare, por janë fort të vlefshme për
historinë e gjuhës shqipe dhe për frymën atdhedashëse që i mbush. Atë lutje që thuhet
në një gjuhë tjetër, fjalët e së cilës s'i kupton vetë ai që i thotë, as Zoti nuk e ndëgjon -
mendonte Budi:"Këto fjalë mse s'i thua mbë gjuhu tanë, ashtu si mun i ndëgjojsh ma
mirë...?... se atë uratë qi s'e ndëgjon ai qi e thotë, atë as zotynë s'e ndëgjon".

Pas veprave të Budit, u botua më 1635 Fjalori latinisht-shqip i Frano Bardhit (1606-
1643). Ky lindi në Kallmet të Zadrimës, studjoi në kolegjin e Loreto-s, n'Itali, dhe
pastaj n'atë të Propaganda Fide-s, në Romë. Siç e thotë vetë në parathënien, e përpiloi
fjalorin për "me ndihmuem mbënjanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë,
sa ma parë të ve; e ma fort me ndihmuem gjithë atyne qi janë nd'urdhënitë Tinëzot e
të shientës Kishë Katolike e s'dijnë gjuhënë latine...". Bardhi i ka shtuar fjalorit disa
pjesë plotësonjëse dhe nja 113 proverba shqipe. Atje ku shënon disa emra qytetesh e
fortesash të Shqipërisë, flet me shumë gjallëri për Krujën dhe për Skënderbén, të cilin
e quan "Kulshedra e botës s'Arbënit... lavdi e nderja e gjithë dorësë arbëneshë".

I fundit në datë prej auktorëvet shqiptarë të shekullit XVII, por i pari krijonjës letrar
në gjuhën shqipe, është Pjetër Bogdani, lindur rreth vitit 1625 në katundin Guri i
Hasit, afër Prizrendit, dhe vdekur më 1689. Studjoi edhe ky në kolegjin ilirik të
Loreto-s dhe n'atë të Propaganda Fide-s. Nuk u muar me përkëthime por shkroi
drejtpërdrejt në shqip veprën Cuneus Prophetarum (Çeta e Profetërvet), ku rreh
çështje të filozofisë e të theologjisë duke sjellë shembuj nga historia dhe jeta
shoqërore shqiptare. Veprën pastaj e përkëtheu edhe italisht dhe e shtypi në dy vëllime
në të dyja gjuhët (me nga dy shtylla për çdo faqe), në Padovë, më 1685. Bogdani,
sikurse Budi e Frano Bardhi, arriti shpejt shkallë të larta në hierarkinë kishtare. Më
1656 ish emëruar peshkop i Shkodrës dhe më 1677 u bë kryepeshkop i Shkupit. U
përfshi edhe ai, sikurse Budi, në ngjarjet e asaj kohe, u përzie në lëvizjet kryengritëse,
por më në fund, për t'iu shpëtuar ndjekjevet, u shtrëngua të merrte malet dhe të hidhej
n'Itali. Vepra e Bogdanit ka frymëzim fetar e kombëtar njëherësh, se të dyja këto
ndjenja lidhëshin bashkë kundër sundimit turk për mprojtjen e krishterimit. Gjejmë në
shkrimet e tija shumë letra e raporte drejtuar Vatikanit mbi vendet e Shqipërisë së
veriut e të Kosovës, mbi qytetet e këtyre krahinave dhe mbi popullsinë e tyre. Me të
njëjtin shpirt luftëtari sikurse Budi, me të njëjtën dashuri për gjuhën amtare me anën e
së cilës mund të ndriçohej vetëdija e Shqiptarëve të krishterë për t'i qëndruar
islamizimit, Pjetër Bogdani i fali letërsisë shqipe një nga veprat më të bukura, si nga
gjuha, nga stili dhe nga përmbajtja.

Më vonë, punimi i gjuhës dhe i letrave shqipe gjeti fushë të lirë vetëm tek Arbëreshët
e Italisë. Aty kemi, në shekullin XVIII, poemin e Jul Varibobës mbi Jetën e Shën-
Mërisë Virgjër. Dhe lulëzimin e Rilindjes në shekullin XIX.

Kurse në Shqipëri brenda, po shtrihëshin sa më shumë dy rrymat kulturore të huaja.


Në jugë, përveç shkollavet fillore greqishte, u krijuan dy qendra kulture helenike, ku
jepëshin mësime të larta, në Voskopojë dhe në Janinë. Të dyja këto ushtruan një
ndikim të fortë mbi Orthodoksit shqiptarë, por ajo e Voskopojës nuk vazhdoi për një
kohë të gjatë. Qyteti i Voskopojës pati një ngritje të shpejtë në shekullin XVIII, si
qendër tregëtie dhe zejtarie, me një popullsi që arriti në 40.000 frymë. U zbukurua me
ndërtesa, kisha e monumente artistike, me kroje, kopshte e rrugë të shtruara, me
shkallë e ballkone mermeresh të bardhë, të rimtë a ngjyrë trëndafili. Nuk vonoi të
rritej edhe si qendër kulturore. Hapi një kolegj grek, ngriti një shtypëshkronjë dhe
themeloi më 1744 një shkollë më të lartë, që u quajt "Akademia e Re". Kleri i
Voskopojës varej nga Patrikana e Ohrit, e cila, duke pasur nën mvarësinë e saj popuj
me gjuhë të ndryshme, ishte në kundërshtim me politikën greqizonjëse të Fanarit.
Ndoshta edhe pse e mendonte që mënyra m'e mirë, për t'i qëndruar islamizimit ishte
ndriçimi i popujvet orthodoks nëpërmjet të gjuhëvet amtare. Pastaj Orthodoksit e
Voskopojës ishin Vllehë shumica, prandaj mësimet që jepëshin aty, ndonëse greqisht,
kishin një frymë më të lirë dhe nuk pengonin përkëthimin e libravet fetare në gjuhë të
tjera. Në shtypëshkronjën e Voskopojës qenë botuar shumë vepra, përgjithësisht
fetare, që shpërndaheshin në tërë botën orthodokse. N'Akademinë e Re, ku jepëshin
mësime të larta nga profesorë të shquar dhe rrihëshin idetë filozofike e shkencore më
të reja të kohës, patën studiuar djelmosha shqiptarë t'ardhur prej krahinash të
ndryshme.

Më 1767, Patrikana Ekumenike e Stambollit, që kishte përkrahjen e Sulltanit, ia hoqi


titullin asaj t'Ohrit edhe e futi nën autoritetin e vet si një kryepeshkopatë. Pak më
vonë, gjatë luftës ruso-turke, Voskopoja u shikua ndoshta si përkrahëse e Rusisë,
prandaj u sulmua disa herë, u plaçkit e u dogj. Kështu ca nga ca e humbi shkëlqimin e
dikurshëm duke rënë në radhën e një fshati. Shumica e popullsisë së saj u largua.

Ajo që ka rëndësi për neve, nga ana kombëtare, është se në shkollën e Voskopojës
mund të bëhëshin përkëthime edhe shqip. Kryeprifti Theodor Kavalioti, një nga
profesorët më të shquar t'Akademisë së Re, botoi një fjalor greqisht-rumanisht-shqip
prej nja 1200 fjalësh dhe thuhet se desh të përkëthente shqip edhe Ungjillin. Një tjetër
prift i shkollës së Voskopojës, Mjeshtër Dhanili, përpiloi një fjalorth katërgjuhësh,
greqisht-rumanisht-bullgarisht-shqip. Ky nuk e fshihte se qëllimi i tij ishte që të
greqizonte Vllehët, Bullgarët dhe Shqiptarët. Një nga nxënësit e Akademisë së
Voskopojës, Mjeshtër Todëri (Theodor Haxhi Filipi) nga Elbasani, përkëtheu shqip
disa pjesë të Dhiatës së Re dhe të liturgjisë kishtare orthodokse, por dorëshkrimet e
tija kanë humbur. Ky desh të hapte n'Elbasan edhe një shtypëshkronjë për të botuar
libra shqipe, por thuhet se u vra në Shqipëri nga njerëz të panjohur kur po këthehej
prej Venetikut me shkronjat dhe lëndën e duhur më 1806. Duket se Mjeshtër Todëri
kishte nxjerrë një abece të veçantë për tingujt e shqipes, e cila ka të ngjarë të jetë ajo
që pat zbuluar më vonë albanologu J.G. Hahn, n'Elbasan, dhe që e mendonte fort të
vjetër.

I gjysmës së dytë të shekullit XVIII është edhe një dorëshkrim greqisht e shqip i
Kostandin Beratit, prej nja 152 faqesh, ku pjesa shqipe përmban disa lutje fetare e
copa t'Ungjillit, një vjershë hymnore mbi vuajtjet e Krishtit dhe një fjalor greqisht-
shqip. Shkrimet e këtilla kishin për qëllim t'ua bënin fenë të kuptuarshme Shqiptarëvet
orthodoks që s'e dinin greqishten, ose edhe t'iu lehtësonin mësimin e kësaj gjuhe.
Sidoqoftë, përkëthimet e Kostandin Beratit, bërë në një shqipe të pastër, kanë një
vleftë gjuhësore e letrare. Në vjershën, vajtimi i Shën-Mërisë, ligjëruar në një gjuhë
t'ëmbël, është mallëngjenjës. Këto pjesë shqipe janë shkruar me abecenë greke. Por në
dorëshkrimin gjindet edhe një tjetër abece, ku më të shumtat e shkronjavet iu
shembëllejnë atyre t'abecesë glagolitike e cirilike sllave. Me këtë janë shkruar shqip
vetëm dy radhë. Vonë, më 1949, është gjetur edhe një dorëshkrim në manastirin
orthodoks të Shën-Jonit, afër Elbasanit, me një abece të ndryshme nga ajo e përdorur
prej Mjeshtër Todërit dhe nga tjetra që gjindet në librin e Kostandin Beratit. Po edhe
kjo pështetet në shkronjat greke dhe sllave. Auktori është i panjohur. Dorëshkrimi,
prej nja 58 faqesh, rrëfen, në një prozë mjaft të gjallë, vuajtjet e Krishtit dhe përmban
disa copëza t'Ungjijvet. Dialekti, në vija të përgjithshme është ai i Elbasanit, por
trajtat e shqipes, këtu, janë më të vjetra, prandaj besohet që dorëshkrimi të jetë i
gjysmës së parë të shekullit XVIII.

Dhiata e Re u përkëthye shqip për të parën herë nën mbikqyrjen e Grigor


Gjirokastritit, peshkop i Eubesë, dhe u botua në Korfus bashkë me tekstin greqisht më
1827.

Qëndra kulturore greke e Janinës që mori pastaj një zhvillim të madh, e mbajtur nga
Patrikana dhe kleri grek bëri ç'ishte e mundur për greqizimin e Shqiptarëvet
orthodoks.

Po edhe shkollat myslimane punonin për turqizimin e Shqitarëvet. Si qendra kulturore


orientale me institute fetare e shkolla të mesme (medrese) u bënë Berati, Elbasani,
Shkodra, Prizrendi etj. Në këta qytete u ngritën xhami madhështore të stilit oriental, të
cilavet nuk iu mungonte bukuria artistike. Pjesa myslimane - gjithmonë nëpër qytetet -
filloi t'imitonte jetën allaturka. Në shekullin XVIII, si qendra m'e lartë e kulturës
orientale në Shqipëri u bë Berati, i cili nxori edhe vjershëtarë që shkruanin turqisht,
arabisht ose persisht, duke imituar poetët arabe e persianë. Por mbasi këto gjuhë
s'mund t'i kuptonte veçse një rreth tepër i ngushtë, disa prej këtyre shkruan edhe
vjersha shqipe duke përdorur abecenë arabe. Përveç themavet me frymëzim fetar, këta
këndonin dashurinë, bukurinë, ose thumbonin me disa satira zakone e padrejtësi
shoqërore. Më të njohurit prej tyre janë Nezim Frakulla dhe Sulejman Naibi, nga
Berati, Hasan Zyko Kamberi, nga Starja e Kolonjës. Ndërsa gjuha e Nezim Frakullës
është plot orientalizma, dy të tjerët kanë shkruar në një shqipe disi më të pastër. Zyko
Kamberi, në ca vjersha satirike fort të lira, si Kënga e Gjerdekut,
Trahana dhe Paraja, shpotit disa zakone shoqërore ose shfryn kundër shkaqeve të
varfërisë. Me abecenë arabe kanë shkruar edhe vjershëtarë ose bejtarë Shkodranë, si
Mullah Hysen Dobraçi, Mullah Sali Pata, e të tjerë; po ashtu edhe disa ashikë të
fesë, syni, bektashi a të ndonjë tjetërtarikati, nga viset e ndryshme të Shqipërisë.
Veçse shkrimet e këtyre të fundit janë një përzjerje turqisht-arabisht-persisht, prandaj
për shqipen s'kanë asnjë vleftë letrare. Në radhën e vjershëtarëvet myslimanë që
shkruan me abecenë arabe nuk mund të mos përmendet Muhamet Çami (ose Kyçyku)
nga Konispoli, lindur më 1784 dhe vdekur më 1844. Ky prodhoi shumë vjersha,
zakonisht me përmbajtje morale, një pjesë e të cilavet ka humbur. Njihet për novelën e
gjatë në vjershë Erveheja, shkruar aty nga viti 1820, dhe botuar prej Jani Vretos më
1888. Muhamet Çami kishte shije e përfytyrim poeti. Mëkat që gjuha e tij është e
ngarkuar me orientalizma!

Por krijimet e vërteta të kombit shqiptar përmbahëshin gjer vonë në folklorin e tij,
domethënë në këngët e tregimet popullore. Këto paraqesin një ndryshmësi të pasur
ndjenjash e gjykimesh, trajtash e përmbajtjesh, sipas kohëvet, krahinavet dhe
ndikimeve kulturore të jashtëme. Por në thellësi pasqyrojnë fondin shpirtëror të
popullit shqiptar, fuqinë krijonjëse dhe pamjen e gjerë të tij mbi botën e mbi jetën.
Shqiptarët, që rrjedhin nga një racë e shëndoshë dhe kanë jetuar gjatë dy mijë vjetëve
midis kulturavet greke e latine, nuk mund të mos kishin shkallën e vleftavet morale,
kuptimin e lidhjevet njerëzore, horizontin e mendimit dhe fantazinë krijimtare të tyre.
Në mungesë të një letërsie të shkruar, ndjenjat e gjykimet në lidhje me çfaqjet e
ndryshme të jetës i kanë shprehur nëpër këngët, fjalët e urta, përrallat, tregimet e
gjithë ç'ka rrjedhur nga goja e popullit. Ndonëse këto nga trajta e përmbajtja
ndryshojnë prej krahinës në krahinë ose prej një kavaljeti historik në tjetrin, kanë
gjithmonë diçka të përbashkët që i lidh e i dëften si shprehjen më të çiltër të
mendësisë dhe të frymës fisnike të kombit tonë. Tek Shqiptarët e veriut, që kanë jetuar
të mbyllur nëpër malet e tyre, vendin e parë në folklor e zë poezia epike me tërë
mithologjinë, legjendat dhe figurat madhështore që ajo përmban. Këto këngë
kreshnikësh që nganjëherë përbëjnë qerthuj rreth figurash qendrore, këndohen të
shoqëruara me lahutë, si dikur rapsoditë homerike. Virtytet e burrërisë së lashtë, besa,
nderi, mikpritja, ndorja, urtia e trimëria, që rrethonin me lavdi Shqiptarët e dikurshëm,
iu japin frymë e shpirt këtyre poemave. Në malësitë e veriut është ruajtur edhe Kanuni
i Lek Dukagjinit, pothuajse ashtu siç ishte në Kohën e Mesme.

Folklori i Shqipërisë së jugës, ku strukturat shoqërore kanë qënë më të përparuara,


paraqet një ndryshmësi më të madhe trajtash e ndjenjash. Poezia epike është mbajtur e
fortë edhe aty, por në vend të lahutës, këndohet e shoqëruar me valle trimërie. Përveç
kësaj, ka edhe një lulëzim poezish lirike a baritore, t'ëmbëla e të kërthnezta, që
këndojnë buzëqeshur gëzimet e jetës.

Poezia popullore e Arbëreshëve t'Italisë këndon me theksa të mallëngjyer kujtimet e


atdheut të parë dhe t'epopesë kastriotiane, rreth së cilës janë thurur qerthuj e legjenda,
si te Kënga e Sprasme e Balës.

Legjendat dhe qerthujt e poezisë epike të folklorit shpiptar vinë që nga kohë e Mesme,
por gjatë sundimit otoman janë myslimanizuar emrat e kreshnikëvet dhe futur në
përmbajtjen elemente të reja. Kështu për shembull në legjendën Kostandini i
Vogëlith, aq e përhapur tek Arbëreshët e Italisë, emri Kostandin u zëvëndësua në
Shqipëri gjatë sundimit turk me atë t'Ago Ymerit. Po ashtu ngjau edhe në
legjendënKostandani e Garentina. Në qendër t'epikës popullore shqiptare qëndron
qerthulli i Gjeto Basho Mujit e Sokol Halilit, ashtu si është ruajtur në malësitë e veriut
e në Kosovë. Këta dy vëllezër, figura mithologjike mesjetare me trajta gjiganti e me
forcë të mbinatyrshme, të mprojtur nga Orë e Zana, luftojnë me topuz e me shpata
kundër "krajlit" të Shqehvet, bjenë në "Kotorre të Reja", shkojnë gjer në Zarë, në
Danub e në Det të Zi. Por gjatë sundimit turk emrat e kreshnikëvet janë
myslimanizuar, në këngët e tyre kanë hyrë jo vetëm figura të historisë së pastajme si
"mbret Sylejmani", "Çuperli Veziri" etj., po edhe elemente të qytetërimit të
mëvonshëm, që bëjnë, anakronizma me kuadrin mesjetar. Ndryshime të këtij lloji
kanë pësuar edhe rapsoditë që lidhen me figurën përrallëzore të Gjergj Elez Alisë.

Qerthulli i këngëvet epike që kish nisur të formohej rreth figurës së Skënderbeut, në


shekullin XV, u mbajt tek Arbëreshët e Italisë si kujtim i pavdekshëm i epopesë së
lavdishme dhe frymëzoi më vonë poetët e tyre.

Në kohët e reja, u krijuan në Shqipëri mjaft këngë popullore rreth Ali Pashë
Tepelenës.

Ndonëse rapsodive t'epikës popullore shqiptare iu mungon organizimi dhe paraqesin


shumë përzjerje e variante, për nga fuqia e shprehjes dhe e përfytyrimit, nga vlefta
poetike përgjithësisht, mund të rrinë krahas me krijimet më të larta t'epikës botërore.
Nuk mund të flitet për folklorin shqiptar pa përmendur edhe përmbledhjen e ligjevet
zakonore, siç paraqiten në Kanunin e Lek Dukagjinit. Sepse jo vetëm jeta e popullit,
po edhe vepërimet e kreshnikëve të poezisë popullore rregullohëshin sipas këtyre
ligjeve, në themel të të cilavet qëndrojnë besa, nderi e mikpritja. S'ka dyshim që ligjet
zakonore të Shqiptarëvet janë shumë të vjetëra, sepse gjejmë nër'to disa gjurma
konceptesh juridike prej qytetërimevet më të lashta të njerëzisë. Dhe duket që këto
ligje ishin të pergjithshme në tërë Shqipërinë gjer në kohën e pushtimit turk. Si kriter
moral e juridik, Kanuni i Lek Dukagjinit qëndron më lart jo vetëm nga ligjet zakonore
të këtij lloji që kanë pasur popujt e tjerë, si e drejta gjermanike për shembull, po edhe
nga legjislacionet e Evropës së qytetëruar gjer me Revolucionin Frëng. Pse ndërsa
n'ato ligje të drejtat e njeriut ndryshonin sipas klasëve shoqërore a sipas forcës që ai
paraqiste, në Kanunin e Shqiptarëvet të gjithë njerëzit mbahen të barabartë përpara
ligjit, të çfarëdo cilësie a radhe shoqërore qofshin, dhe gjaku i tyre ka të njëjtën vleftë.
Një tjetër veçori e Kanunit të Shqiptarëvet është mënyra demokratike, në formën më
të thjeshtë, pas së cilës vetqeveriset fisi ose krahina. Nuk ka sundim tiranik. Çështjet
gjyqësore shikohen prej këshillit të pleqvet, kurse vendimet e një interesi më të
përgjithshëm merren prej kuvendit, domethënë prej mbledhjes së popullit, ku bën
pjesë nga një burrë për familje dhe gjithsekush ka një zë. Kjo mënyrë vetqeverimi
duket se është shumë e vjetër tek Shqiptarët, mbasi e përmend Straboni qysh përpara
Krishtit kur flet për Maqedonasit, Epirotët dhe Ilirët. Ndonëse këta popuj patën
formuar mbretërira, në të vërtetën - dëshmon gjeografi i madh - qeverisëshin prej disa
këshilleve të parësh që i quanin plakoni, domethënë pleqësi. Ky lloj autoriteti ka qënë
aq i rrënjosur tek Shqiptarët sa, kur duan të ndajnë një çështje, thonë: t'a hedhim në
pleq.

Degët e tjera t'artit, si muzika, arqitektura, skulptura e piktura, nuk kanë qënë të
panjohura në Shqipëri, dhe në disa kohë patën arritur shkallën më të lartë sikurse na e
vërtetojnë sot gërmimet arkeologjike. Nuk është vendi të zgjatemi këtu mbi muzikën
ose mënyrën e të kënduarit të Shqiptarëvet, vetëm me zë apo të shoqëruar me vegla.
Se ajo ndryshon prej krahinës në krahinë, prej kohëvet në kohë, ka pësuar ndikimin e
muzikave të jashtëme, greke, bizantine, sllave, orientale, dhe paraqet një përzjerie të
gjerë motivesh tonesh e melodish. Në këngët e malësorëvet, sidomos në jugë janë
ruajtur akoma elemente të jetës baritore, imitim i këmborëve dhe i oshëtimave të
natyrës. Shqiptarëvet iu ka pëlqyer në të gjitha kohët kënga, vallja e muzika.

Si arqitekturë, pushtimi turk nuk solli shumë elemente të reja përveç xhamivet,
tyrbevet, dhe ndonjë ndryshim të vogël në banesat e qytetarëve të pasur myslimanë.
Po edhe xhamitë, si element të ri kishin minarenë dhe planin e përgjithshëm që
shpeshëherë ishte rrotullar ose poligonal, në shembull të tempujve të vjetër; kurse
kubeja, harqet, shtyllat e sofatit etj., nuk ndryshonin nga ato të kishavet bizantine.
Hamamet që u ndërtuan nëpër qytete ishin një vazhdim i banjavet bizantine dhe
s'kishin asnjë zbukurim nga jashtë. Shtëpitë e Shqiptarëvet ruajtën përgjithësisht
formën e thjeshtë si më parë. Vetëm banesat e bejlerëve dhe pasanikëve myslimanë që
deshën t'imitonin jetën allaturka, ndahëshin tani në dy pjesë: në haremllëk, ku rrinte
familja dhe në selamllëk, ose pjesa e pritjes, ku qëndronin burra, miq, shërbëtorë e
qehallarë. Ndërtimet botore, ura, fortesa, e të tjera, vazhduan sipas teknikës dhe stilit
të vjetër bizantin ose venetikas. Përsa iu përket kishavet, gjer aty nga shekulli XVII
nuk u ndërtuan të tjera veç atyre që kishin mbetur nga Kohë e Mesme, të stilit bizantin
për Orthodoksit. Katedralet katolike të dikurshme ishin prishur e rrënuar. Kishat që u
ndërtuan pastaj qenë të thjeshta dhe pa vleftë artistike. Tek Orthodoksit, kishat e reja,
për të mos rënë fort në sy, u larguan prej stilit të bukur bizantin në trajtë kryqi dhe me
kube të dukëshme. Ato janë katërkëndshe, me kube të mbuluara prej çatisë, me një
ose tri gunga gjysëm-rrethi n'anë të lindjes, dhe iu ngjajnë nga jashtë shtëpivet të
zakonshme.

Mbasi paraqitja e qenievet të gjalla, sidomos e fytyrës së njeriut, në pikturë e


skulpturë nuk pajtohej me traditën e fesë islame, s'mund të pritej një lulëzim i këtyre
arteve nën pushtimin turk. Xhamitë, përbrenda, si zbukurim ngjyrash, zakonisht të
kaltërta, kishin piktura arabeskesh dhe versete të Kuranit paraqitur në bukurshkrim
arabisht.

Por piktura kishtare, gjatë kësaj kohe, ka njohur dorën e disa artistëve të vërtetë
shqiptarë, m'i shquari i të cilëve mbetet mjeshtër Onufri nga Elbasani, që jetoi në
shekullin XVI. Artin e këtij e vazhdoi edhe i biri, Nikolla. Këta të dy zbukuruan me
freske të një vlefte të rrallë artistike disa kisha orthodokse, por mjerisht, prej
moskujdesjes, kryeveprat e tyre kanë pësuar dëmtime. Duke u larguar prej artit
konvencional t'ikonavet bizantine fytyrë-ngrira e pa shprehje, Onufri iu ka dhënë
figurave biblike dukjen e njeriut të gjallë, me tipare plot jetë, me vehtje të dalluar, në
një paraqitje tërë shprehje e lëvizje. Të pamit dhe veshja e tyre ka diçka të ngjashme
me tipin e Shqiptarit. Prej freskevet t'Onufrit kanë mbetur në kishën e Shën-e-Premtes
së katundit Valësh, në Shpat, ikona e Grigor Theologut, kryevepër e vërtetë,
dhe Gratë nën Kryqin. Në kishën e Shelcanit, po në Shpat, gjinden dy ikona profetësh,
njëra e Davidit. Në pikturën e Grigor Theologut artisti është dëftyer dorëlumtur, se ka
ditur të japi jo vetëm paraqitjen e jashtëme në një harmoni të mbaruar përpjestimesh e
lëvizjesh, po edhe forcën e pjekur të mendimit në shprehjen e fytyrës.

Përveç dy kishave të Shpatit, e ndoshta të tjera që s'i dimë, Onufri pat zbukuruar me
ikona edhe kishën e Shën-Theodhorit, në Berat. Por në këtë qytet punoi sidomos i biri,
Nikolla. Pikturat e këtij në kishën e Shën-Mërisë Vllaherna, në kështjellën e Beratit,
kanë pësuar mjerisht dëmtime të medha. Shquhet akoma midis tyre ikona e Shën-Jan-
Pagëzorit, veshur pothuajse me petkun shqiptar.
Në shekullin XVIII u shquan të tjerë piktorë kishtarë shqiptarë, sikurse David
Selenica, i cili mbaroi fresket e kryekishës së Shën-Kollit në Voskopojë, rreth vitit
1726, dhe Kostandin Shpataraku, një murg që ka pikturuar ikonat e shumë kishave, në
Vithkuq, Ardenicë, Kavajë e në manastirin e Shën-Gjon Vlladimirit n'Elbasan. Edhe
kujdesi i David Selenicës ka qënë që t'iu jepte figuravet të tija sa më shumë lëvizje e
shprehje jete.

Siç shihet, në kohën e Skënderbeut dhe përpara atij, Shqiptarët e quanin


vehten Arbëreshë. Kështu quhen edhe sot Shqiptarët e Greqisë që janë mërguar në ato
vende përpara epopesë së Skënderbeut, si edhe Shqiptarët e Italisë së jugës, që e lanë
vendin tonë pas asaj epopeje.

Si qëlloi që, gjatë sundimit turk, Shqiptarët u quajtën me emrin që kanë sot?
Emri Shqiptar dhe gjuha shqipe nuk besohet të kenë asnjë tjetër prejardhje
përveç shqipes që përbën simbolin e flamurit të Skënderbeut.

Pas vdekjes së kryetrimit, Shqiptarët nuk u nënshtruan menjëherë ndën Turqit. Ata
vazhduan për shumë kohë përpjekje e kryengritje, qofshin krahinore (në veri a në
jugë), qofshin në një lidhje më të gjerë, për t'u çliruar nga zgjedha turke. Këto lëvizje
ishin të frymëzuara prej kujtimesh të Skënderbeut dhe të shqipes së tija dykrenore. A
nuk u kënduan trimëritë e herojt legjendar nëpër raste solemne, për dhjetra vjet me
radhë, nga burra, gra e vajza, si himnet përkujtimorë të herojve klasikë?

Duket se Shqiptarë u quajtën ata që ecnin pas shqipes, ose partizanët e shqipes, që
ndiqnin akoma flamurin e Skënderbeut, domethënë luftën e tija. Ky emër pastaj u
përgjithësua dhe përfshin tërë Shqiptarët pa përjashtim.

Nuk na duket të ketë një shpjegim tjetër më të përshtatshëm mbi kthimin e


emrit Arbëreshë në emrin Shqiptarë.

Thamë se në Kohën e Mesme sistemi otoman - si organizim, si administratë, si


legjislacion, edhe si liri fetare e shoqërore - qëndronte më lart nga ai i Evropës së
"qytetëruar". Por pastaj punët ndryshuan në drejtim të kundërt: ndërsa Evropa
perëndimore shkonte drejt përparimit me zgjerimin e kulturës, të shkencavet, të
teknologjisë, me çpikjet e reja, me zbulimet e mëdha gjeografike që ndryshuan
boshtin e shkëmbimevet botërore, me rritjen e prodhimit, me shtrirjen e tregëtisë, me
krijimin e klasëvet borgjeze, me formimin e monarkivet të përqendruara, - Turqia
mbeti e ngrirë në sistemin e vjetër dhe mori të tatëpjeten. Prej shekullit XIV gjer në të
XVII-in, Perandoria Otomane ia pat detyruar epërsinë e saj organizimit feudalo-
ushtarak të lidhur me fanatizëm rreth Sulltanit, kundrejt ushtërive të pa-organizuara
dhe feudalizmit të çthurur të Perëndimit. Por pastaj nuk dijti ose nuk mundi t'iu
përshtatej kushteve të reja të qytetërimit, të teknologjisë dhe t'organizimit në lidhje me
forcat evropiane, e prandaj shkoi duke rënë poshtë. Në gjysmën e dytë të shekullit
XVII, vezirët Qypërlinj, të cilët ishin Shqiptarë, i dhanë Turqisë një rimëkëmbje të
përkohshme, por nuk mundën t'a ndryshonin në thellësi strukturën e saj, që lidhej me
fanatizmin e vjetër, me mozaikun e popujvet q'e përbënin, me mithin e Sulltanit e të
tjerë faktorë shoqërorë e psikologjikë. Kështu dekadenca e brendëshme dhe disfatat e
jashtëme të Perandorisë Otomane vazhduan të pandalshme.

Duke ndryshuar kohët, filloi të çthurej edhe organizimi i vjetër ushtarak otoman me
sistemin e spahijvet, që përbënin forcën e kalorësisë turke. Perandoria po pësonte
disfata, autoriteti i Stambollit nisi të dobësohej, spahinjtë nuk gjenin më vënde të reja
për të rrëmbyer e grabitur, prandaj s'po iu përgjigjëshin as thirrjevet për të vajtur në
luftë dhe s'po iu qëndronin detyrimevet. Timaret dhe zeametet që patën shfrytëzuar në
shekujt e mëparshëm si shpërblim për shërbimet e tyre, nisën t'i këthenin në prona
trashëgimtare. Kështu, nga fillimi i shekullit XVIII, zu të përhapej sistemi
i çifliqevet në fushat dhe luginat pjellore të Shqipërisë. Në tokat e ulëta bregdetare u
formuan prona të mëdha nën zotërimin e bejlerëvet dhe të pashallarëvet që gjoja
qeverisnin vendin n'emër të Sulltanit. Ndërsa me sistemin e vjetër të timarevet bujku
mbetej i zoti i tokës dhe i merrej vetëm një e dhjeta e prodhimit, me sistemin e
çifligjevet toka u bë pronë e çifligarit, i cili i merrte bujkut një të tretën e prodhimit
dhe mund t'a përzinte kur të donte. Ky sistem u përhap sidomos në krahinat e
shkelshme, ku mund t'ushtrohej forca e feudalëvet.

Legjislacioni turk kishte mbetur gjithmonë ai i vjetëri, në bazë


të sheriatit, megjithëse kanunnametë ndryshohëshin kohë pas kohe. Mësimi varej
gjithmonë prej institutevet fetare, dhe gjyqet prej kadilerëvet. Nëpër malësitë e
pashkelshme, ku administrata turke gjente vështirësi për t'u vendosur, Shqiptarët
vazhduan të rregullohëshin midis tyre sipas ligjeve të vjetëra zakonore. Këto vinin nga
i njëjti trung, por kishin emra të ndryshëm sipas krahinavet: u quajtën Kanuni i Lek
Dukagjinit, në rrethet e Dukagjinit, Kanuni i Malevet, në Malësinë e Madhe, Kanuni i
Skanderbegut, në malësitë e Krujës, të Dibrës e të Matit, Kanuni i Papa Zhulit, në
Himarë e Kurvelesh. Për çdo katund, fis a krahinë, këshilli
pleqvet ose kuvendi gjykonin dhe merrnin vendimet.

Në malësitë e veriut, ndarja e popullsisë në fise vazhdoi edhe gjatë pushtimit otoman.
Fisi përmblidhte një numër familjesh a katundesh që mendohej se rridhnin nga një
gjak (stërgjysh) i përbashkët; dhe i përgjigjej fjalës latine gens ose greke fratri, në të
cilat ndahej popullsia e Romës dhe e Greqisë së vjetër. Edhe në Shqipërinë e jugës
popullsia ndahej dikur në farë (me të njëjtin kuptim si fisi). Por me zhvillimin e
mëtejshëm të shoqërisë, farët u zbërthyen, megjithëse flitej akoma për farët e Sulit në
fillim të shekullit XIX. Fjala farë, në jugë, përdoret sot për një grup familjesh që janë
kushërinj të largët ndërmjet tyre, por jo në kuptimin e gjerë të fisit si në veri.
Duke iu lënë malësivet një gjysëm autonomie, sidomos Dukagjinit, Mirditës dhe
Malësise së Madhe, në veri, Himariotëvet dhe Suliotëvet, në jugë, Turqit u munduan
gjithmonë të nxirnin taksa ose haraçeprej tyre, e veçanërisht të shfrytëzonin vleftën
ushtarake t'atyre malësorëve nëpër luftat e Perandorisë. Me këtë qëllim krijuan në
malet e veriut dhe të veri-lindjes sistemin e bajraqevet, duke caktuar nga
njëbajraktar për çdo fis ose krahinë që përbëhej prej disa fisesh. Siç e tregon edhe
emri vetë (fjala bajrak do të thotë në turqisht flamur), detyra e bajraktarit ishte që t'iu
printe burrave të fisit a të krahinës së tij dhe të shkonte për të luftuar atje ku t'a
urdhëronin autoritetet turke. Sikurse titulli i spahiut a i beut, ashtu edhe ai i bajraktarit
mbet si trashëgim në të njëjtën familje. Por ndërsa të tjerët shfrytëzonin në radhë të
parë djersën e bujqvet, bajraktarët shisnin gjakun e malësorëvet si merçenarë.

Kalbësimi i administratës dhe i strukturave të shtetit feudalo-ushtarak otoman


paraqiste një pamje të kundërt me ngritjen e shkallës ekonomike të vendit dhe
zhvillimin e qytetevet. N'atë kohë nuk kishte kufij të mbyllur kundrejt qarkullimit
ekonomik të përbotshëm, prandaj edhe prodhimtaria shqiptare lidhej jo vetëm me
nevojat e brendëshme që shtohëshin vazhdimisht, por deri diku edhe me nxitjen e
tregjeve të jashtëm. Zhvillimi i industrisë së madhe n'Evropë gjatë shekujve XVII e
XVIII dhe zgjerimi i tregëtisë së përbotshme, duke shtuar vëllimin e prodhimit,
shkëmbimet dhe nevojat, nuk mund të mos i jepnin shtytje ringjalljes ekonomike në
krahinat e Perandorisë Otomane. Pra edhe në Shqipëri ekonomia fshatarake ose
natyrore hyri në një qarkullim tregëtar më të gjerë, marrëdhëniet u shtrinë ndërmjet
krahinash të largëta, monedha u përhap kudo si mjet shkëmbimi, lëvizja e mallravet
dhe e parasë solli krijimin e një farë borgjezie nëpër qytetet, e cila i shtohej klasës së
feudalo-ushtarakëvet, të nëpunësvet dhe të klerit. Me pasurimin e shtresës së lartë të
shoqërisë, sidomos të bejlerëve e të pashallarëve, shtohëshin edhe nevojat për banesa
të bukura ose shtëpi të mëdha, për takëme e për llukse. Shtytja e tregëtisë së jashtëme
dhe krijimi i nevojave të brendëshme nga njëra anë, shtimi i popullsisë nga ana tjetër,
i dhanë shkas zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së qytetevet, ringritje që kish
filluar në shekullin XVII dhe që arriti në një shkallë mjaft të lartë në të XVIII-in. Për
të plotësuar nevojat e reja, shkëmbimet me tregjet e jashtëm erdhën duke u shtuar,
zejtaria e vendit mori hov, qytetet u bënë qendra të rëndësishme ekonomike e
kulturore, ndonëse tani paraqitnin tiparet e Orientit. Tregëtarët shqiptarë shisnin
përjashta prodhime bujqësie e blegtorie, si drithë, ullinj, vaj, gjalpë, lesh, lëkura, ose
edhe punë-dore të zejtarisë, dhe sillnin mallra t'industrisë evropiane. Dy qendrat
ekonomike më të mëdha të Shqipërisë u bënë Shkodra dhe Berati. Vinin pastaj
Voskopoja, Elbasani, Vlora, Durrësi, Ulqini, Prizrendi dhe Peja. Disa prej këtyre
qyteteve, përveç shkëmbimevet të brendëshme, bënin një tregëti të jashtëme shumë të
gjerë, që shtrihej jo vetëm në tërë Ballkanin, po deri në skelat e largme t'Adriatikut e
të Mesdheut. Vendin e parë e zinte Shkodra si kryeqendër tregëtare për qarkullimin e
mallravet ndërmjet skelave të Perëndimit dhe krahinave të brendëshme ballkanike.
Tregëtarët e mëdhenj të Shkodrës kishin agjensitë e tyre jo vetëm n'Ulqin, në Durrës,
në Prizrend e të tjera qytete të Shqipërisë, po edhe përjashta deri në Triestë e në
Venetik. Një rol të këtillë nisi t'a loste më vonë edhe Durrësi. Në Kosovë e Rrafsh i
Dukagjinit, dy qendrat tregëtare më të mëdha, që lidhëshin mënjanë me Shkodrën,
n'anën tjetër me Shkup, Tetovë e Prishtinë, ishin Prizrendi dhe Peja. Kurse në
Shqipërinë e jugës, gjer nga gjysma e shekullit XVIII mbahej Berati si qendra
ekonomike m'e madhe e si qyteti m'i përparuar. I lidhur me skelat e Vlorës e të
Durrësit dhe duke pasur një zejtari fort të zhvilluar, Berati bënte tregëti të gjerë me
tërë Toskërinë dhe Shqipërinë e Mesme. Dallohej gjithashtu nga ndërtesat, zbukurimet
dhe kultura orientale. Në Berat e kish ngrehur qendrën e tij edhe sanxhakbeu i Vlorës.
Udhëtari turk Evlia Çelebiu, q'e pati vizituar Beratin rreth vitit 1670 thotë se qyteti
kishte 30 lagje, 5 medrese, shumë xhami me arqitekturë madhështore, banja publike,
kafene të bukura anës lumit, ku mblidhëshin shkollarë e vjershëtarë për të biseduar
mbi çështje diturie. I njëjti auktor na ka lenë edhe mbi Elbasanin një përshkrim të
mrekulluarshëm, që duket i pabesuar, dhe mjaft njoftime mbi qytetet e tjera të
Shqipërisë. Sidoqoftë, Berati nuk vazhdoi të mbante vendin e parë si kryeqendër
ekonomike e Toskërisë. U zhvillua rreth tij Voskopoja, për të cilën kemi folur më
sipër, Elbasani, që nuk mbetej pas as nga kultura, dhe sidomos Janina, që zuri vendin
e vjetër si kryeqëndër e Epirit. Krahinat e Përmetit, Gjirokastrës, Delvinës u
shkëputën prej lidhjevet tregëtare me Beratin dhe, bashkë me Çamërinë, u mblodhën
rreth Janinës, e cila u bë një nga qytetet më të lulëzuara të Ballkanit.

Zejtaria shqiptare kishte qënë fort e përparuar në shekujt XIV e XV, dhe punë-e-dorës
së saj kërkohej mirë në tregjet e jashtëm. Mërgimet e mëdha që shkaktoi pushtimi
otoman e rrëzuan përkohësisht. Pastaj u ringjall, por duke prodhuar sende të tjera
sipas kohës dhe nevojave të reja të shoqërisë. Në shekullin XVIII, përveç veglave të
punës zakonisht prej hekuri, përveç enëve prej balte a prej druri dhe pajisjes për kuaj,
zejtarët shqiptarë prodhonin gjëra lluksi artistikisht të bukura, si orendi shtëpish,
pëlhura mëndafshi, liri e pambuku, veshje kombëtare të qëndisura, këpucë e sende të
lëkurta, armë zjarri ose thika e shpata me dorëza të ngrime n'ergjënd e n'ar, dhe lloj-
lloj stolish e lajle me këta dy metale të fisshëm. Punimi i drurit me gdhëndje artistike
u bë një mjeshtëri mjaft e përhapur për zbukurimet e brendëshme të shtëpive, kishave
e xhamive. Zejtaria shqiptare mori përsëri famën e dikurshme dhe u specializua sipas
qytetevet. Armët e ngrira punohëshin sidomos në Shkodër e në Prizrend. Në këto dy
qytete dhe n'Elbasan pat lulëzuar njëkohësisht arti i ergjëndarëvet dhe i qëndistarëvet
me ato stoli të bukura prej ari edh'ergjëndi, me ato qëndima të veshjes shqiptare, nga
më të hijëshmet në botë, që tregonin zotësinë mjeshtërore dhe fisnikërinë e natyrshme
të racës sonë. Armët, stolitë dhe plaçkat e punuara në Shqipëri kërkohëshin shumë
nëpër tregjet e Ballkanit.
Mbartja (transporti) prej një vendi në tjetrin bëhej n'atë kohë me anën e karvanëvet.
Rrugët ishin të ngushta, me të dredhura e në një gjendje fort të keqe, të rrahura vetëm
prej kuajsh e mushkash. Shirat dhe baltërat i bënin shumë të vështira udhëtimet. Urat
ishin të rralla. Lumenjtë kalohëshin në vah ose me anë lundrash. Për të ndërlidhur
bregdetin me krahinat e brendëshme dhe këto midis tyre, kishte disa udhë më të
rrahura që ndiqëshin zakonisht prej karvanëvet. Kështu për shembull nisëshin prej
Durrësit udhët për Tiranë e Dibër, për Elbasan e Ohër ose për Berat e Vlorë. Nga
Shkodra nisej rruga për në Pukë e Prizrend, dhe prej andej për në qytetet e Kosovës.
Një tjetër zbriste për në Lesh, Durrës e Tiranë, që merrte pastaj drejtimet Elbasan-
Ohër ose Berat-Vlorë. Korça nëpërmjet të Voskopojës lidhej me Beratin, dhe që këtej
me Vlorën e Durrësin; nga anë të tjera, lidhej me Ohër e Manastir si edhe me Kostur e
Follorinë. Krahinat e jugës, nëpër rrugën që shkonte nga Kakavia, lidhëshin me
Janinën, dhe kjo lidhej me detin nëpërmjet skelave të Sajadhës, Gumenicës, Prevezës
edh'Artës.

Lumenjtë e Shqipërisë ishin të palundruarshëm, përveç Bunës. Në det, limanet e


Shqipërisë nuk kishin flotë tregëtare të tyren, me përjashtim t'Ulqinit. Detarë të zotë
në të gjitha kohët, Ulqinakët kishin lart nga 200 barka ose anije me vela, me të cilat
çanin valën e kaltërt përmes Adriatikut dhe Mesdheut. Bënin një tregëti të gjallë, siç
ishte edhe guximi i tyre. Më vonë, në kohën e Kara Mahmud Bushatit, pati edhe
Shkodra një flotë tregëtare te sajnë.

Me gjithë ngritjen e ekonomisë gjatë shekujve XVII e XVIII, mungesa e mjeteve të


jetesës u bë më e ndieshme, qoftë nga shtimi i popullsisë dhe i nevojavet, qoftë nga
taksat e rënda që shteti turk dhe feudalët e kthyer në pronarë i vinin popullit, sidomos
fshatarësisë. Fushat e majme u bënë pronë e bejlerëve dhe e pashallarëve. Malësorët
dhe fshatarët e lirë nuk kishin tokë të mjaftuarshme për të bërë bukën e vitit, kurse
popullsia shtohej vazhdimisht. Prandaj shkonin për të punuar si argatë nëpër vise të
tjera të Ballkanit, ose merrnin udhët e mërgimit nëpër kurbete. Një pjesë e tyre, dhe
ajo m'e forta, e kalonte ose e linte jetën në luftë kur Turqia zuri të mblidhte ushtarë me
pagesë. Kështu nisën përsëri mërgimet e Shqiptarëvet nëpër kurbete, gjatë shekujve
XVII e XVIII, duke vazhduar si një ujë i rrjedhshëm deri në kohët e vona. Energjitë
më të mira e braktisnin vendin dhe shkonin e derdhëshin në Stamboll ose nëpër
qendra të tjera të Ballkanit e të Lindjes s'Afërme. Turqia dinte gjithashtu t'i
shfrytëzonte cilësitë ushtarake të Shqiptarëvet dhe t'i përdorte këta si mish për topa
nëpër luftat e saja, që nga Danubi gjer n'Arabi. Më çdo çip të Perandorisë kanë rënë
kocka Shqiptarësh, mbi ato të stërgjyshëvet të tyre që patën mbetur në të njëjtat vende
për Romën dhe Bizantin.

Sigurisht, varfëria, mungesa e mjetevet dhe e tokës së bukës, ose edhe shtypja feudale,
kanë qënë shkaku m'i madh i këtyre mërgimeve, por jo i vetëmi. Popull energjik, por
individualist dhe pa lidhje të forta kombëtare, Shqiptarët kanë kërkuar në të gjitha
kohët kushte më të mira jetese me anë mërgimesh e nismash të veçanta, seicili për
vehte. Nuk kanë qënë kurrë të zotët për një punë të përbashkët ndërtimtare në vendin e
tyrej me përjashtim të qëndresës së Skënderbeut. Aleksandri i Madh desh të sundonte
botën, Pirroja desh të shtronte Romën; më në fund stërgjyshët tonë u bënë ushtarët ose
edhe shtyllat e Romës, e pastaj të Bizantit. Në të njëjtën mënyrë u bënë më vonë
ushtarët dhe shtyllat e Perandorisë Otomane.

Kur vinin të varfër në Stamboll ose nëpër qendra të tjera, Shqiptarët punonin si
kalldrëmxhinj, kasapë, bozaxhinj, kopshtarë, perime-shitës etj. Por me zgjuarësinë dhe
aftësinë e natyrshme, një pjesë e mirë e këtyre të mërguarve ngrihej shpejt në shkallë
më të larta. Kushedi sa pashallarë, gjeneralë, administratorë, arqitektë, njerës të
kulturës e t'artit - nga më të mëdhenjtë që njeh historia e Turqisë - e kanë pasur
rrënjën prej këtyre Shqiptarëve. Disa prej tyre dihen, por kishte shumë që humbisnin
në kombësinë turke. Ndërsa vendi i ynë varfërohej nga mërgimet e pandalshme, në
popullsinë e sotshme të Turqisë, përveç atyre që u shpërngulën në shekujt e hershëm,
po të numërojmë edhe ata qindra mijë Kosovarë që kanë vajtur prej vitit 1913 e tëhu
bashkë me Çamërit e të tjerë Toskë të përzënë vatrash në kohën e barbarivet greke,
mund të ketë lart nga një milion frymë me origjinë shqiptare, ndonëse të shumtët nuk
flasin shqip dhe as që iu kujtohet se ngaha e kanë rrënjën. Pra, gjatë shekujve të
sundimit otoman, e tërë shtesa e popullit shqiptar qe shpërndarë nëpër Ballkan ose pat
shkuar në Turqi. Përveç më shumë se tridhjetë vezirë të mëdhenj, disa prej të cilëve i
kanë dhënë hove ringritjeje Perandorisë Otomane, e sa e sa kumandarë ushtërie a
prijësa të kulturës e t'artevet që i fali asaj ky komb në të kaluarën, mund të themi me
siguri se edhe në Turqinë e sotshme një pjesë e mirë e elitës, në të gjitha degët e
administratës, t'ekonomisë, të diturive e të mjeshtërive të lira, përbëhet prej njerëzish
me origjinë shqiptare. Sikurse iu patën dhënë dikur Romës dhe Bizantit gjeneralë e
perandorë nga më të mëdhenjtë dhe ushtarë nga më trimat, ashtu vazhduan Shqiptarët
t'i jepnin më vonë Perandorisë s'Osmanllinjvet gjakun, mendjen edh'energjinë e tyre
më të mirë. Një rol jo më pak të rëndësishëm kanë lozur në kryengritjen dhe
rimëkëmbjen e Greqisë. Kanë lënë famë nga trimëria si merçenarë nepër ushtëritë e
princave t'Evropës. Me ndonjë figurë të madhe si Mehmet Aliu kanë ringjallur
Egjyptin nga gërmadhat e dyzet shekujve, kanë shtruar Sudanin edh'Arabinë. Flasin të
drejtën disa historianë kur thonë se Shqiptarët, gjatë dy mijë vjetëve, kanë lozur një
rol të madh në historinë e botës së Mesdheut, e cila mund të kishte rrjedhur ndryshe
pa pjesëmarrjen e këtyre. Po rolin e kanë lozur në shërbim të të tjerëvet. Kanë qënë të
zotët të mprojnë, të kumandojnë e të qeverisin botën e huaj, por kurrë vendin e tyre.

Pas këtij vështrimi të dhëmbshëm, le të këthehemi prapë në Shqipëri dhe të ndjekim


fillin e trishtuar të historisë së saj. Anarkia e brendëshme shtohej me çthurjen e
autoritetit otoman, kryengritjet krahinore ishin të përhershme, por këto nuk kishin më
një kuptim kombëtar: ose bëhëshin prej malësorëve për të mos paguar haraçin, për të
mos u shkelur prej bejlerëve e pashallarëve, ose këta të fundit luftonin midis tyre për
të zgjeruar zotërimet përtej kufijve të njëri-tjetrit, ose një pjesë e vendit çohej kundër
urdhërave të Stambollit kur këto ishin për ngritjen e taksavet dhe të detyrimevet.

Kështu Shqipëria, gjatë sundimit turk, paraqet çuditërisht dy pamje të kundërta:


përbrenda vendit të tyre, Shqiptarët janë pothuajse gjithmonë në kryengritje kundër
autoritetit të Stambollit. Përjashta, u treguan si një nga shtyllat e Perandorisë
Otomane, duke i dhënë asaj ushtarët më të fortë, vezirë e qeveritarë nga më të
mëdhenjtë.

Në shekullin XVIII, me disfatat e jashtëme dhe dekadencën e brendëshme të


Perandorisë, u çthur edhe sistemi i vjetër feudalo-ushtarak otoman. Spahinj, bejlerë e
pashallarë e muarën frerin nëpër këmbë, nuk po iu përgjigjëshin më thirrjevet të
Stambollit, dhe timaret e tyre i kthyen në prona trashëgimtare. Duke vazhduar kështu,
u bënë pak nga pak si zotër të pavarur. Që në kohët e para të sundimit otoman, por
sidomos pas përhapjes s'islamizmit, spahinj, sanxhakbenj e tërë ata që patën qeverisur
tokat shqiptare ishin zakonisht vendas. Ushtëritë turke vinin herë pas here sa për të
shtruar trubullimet dhe pastaj tërhiqëshin. Me gjithë këtë, Porta e Lartë pat pasur
kujdes t'i mbante të ndara krahinat e Shqipërisë e të mos linte që të binin në dorën e
një qeveritari të vetëm. Po kur autoriteti i Stambollit nisi të dobësohej, u formuan në
Shqipëri pashallëke gjysëm-autonome që s'iu mbahëshin gjithnjë urdhëravet të Portës
së Lartë as ndarjevet administrative të vendit. Seicili pasha e shtriu fuqinë e vet aq sa
mundi, mbi disa pjesë të sanxhakut ose mbi një a më shumë sanxhaqe. Kështu filloi
një luftë e brendëshme ndërmjet pashallarëve shqiptarë për të marrë në dorë sundimin
e krahinavet dhe për të zgjeruar pashallëket përtej caqevet të njëri-tjetrit. Të gjithë
këta quhëshin sikur qeverisnin n'emër të Sulltanit, derdhnin n'arkën e shtetit turk një
pjesë të taksavet që mblidhnin dhe shkonin nganjëherë me ushtëri në luftat e
Perandorisë kur s'mund të bënin ndryshe. Por zakonisht nuk i zbatonin urdhërat e
Stambollit kur këto ishin kundër interesavet të tyre. Porta e Lartë pat provuar të merrte
masa: ua hiqte titullin e qeveritarit ose i transferonte gjetkë, duke i përdorur gjithmonë
njërin kundër tjetrit. Por këta, kur ishin mjaft të fuqishëm, nuk tundëshin prej vendit.
Atëhere Portës së Lartë s'i mbetej tjetër udhë veçse t'i njihte përsëri me titujt e
mëparshëm atje ku ishin ose t'i shpallte fermanli (domethënë të jashtëligjshëm) dhe të
dërgonte kundër tyre forca ushtarake për t'i shtypur.

Kjo luftë e brendëshme ndërmjet pashallëkeve që hahëshin për zgjerimin e fuqisë e


tolloviti anarkinë më tepër akoma dhe e ndau vendin në tarafe. Disa nga familjet e
mëdha u ngritën përmbi të tjerat dhe u quajtën oxhaqe. Secila prej këtyre mundohej të
bënte taraf nëpër qytete, nëpër malësitë, ndërmjet bajraktarëvet, në klerin mysliman,
duke shfrytëzuar interesat e veçanta ose rivalitetin e një grupi kundër tjetrit. N'atë
kohë, me zhvillimin e zejtarisë dhe të tregëtisë, kishte marrë jeta një lëvizje më të
gjallë nëpër qytetet. Për të mprojtur interesat e tyre, zejtarët ishin organizuar në
korporata, si në Kohën e Mesme, të cilat tani quhëshin turqisht esnafe. I kufizuar
brenda qytetit, esnafi përmblidhte ata që ushtronin të njëjtën mjeshtëri ose dy-tri
mjeshtëri t'afërme. Nganjëherë edhe esnafët formonin tarafe kundër njëri-tjetrit dhe
losnin një rol të rëndësishëm në trazimet e qytetit sikurse në Shkodër për shembull,
tarafi i Tabakëvet (lëkurtarëvet) dhe ai i Terzivet (rrobaqepësvet).

Nëpër fshatra e malësi, tollovia nuk ishte m'e pakët. Përveç qëndresës që iu bënin
feudalëvet për të mprojtur tokat, fshatarët duhej të duronin shpeshëherë
edhe dervenxhinjtë, martallozët e të tjerë kapistra si këta. Në mes të këtij pshtjellimi,
nuk mungonin as bandat e hajdutëvet, që i bënin rrugët të pamundshme, si n'Epir, në
Maqedoni e gjetkë.

Në gjysmën e shekullit XVIII, anarkia e brendëshme në Shqipëri kishte arritur kulmin.


Grindje të mëdha zjenin në sanxhakun e Shkodrës dhe ndërmjet feudalëve të Vlorës e
të Beratit. Në Shkodër hahëshin për marrjen e fuqisë oxhaku Çaushollaj me atë të
Begollajvet. Këta të fundit ishin nga Peja, por një degë e tyre, vendosur në Shkodër,
kish mundur të shtinte në dorë qeverimin e sanxhakut me dekret të Sulltanit. Mirëpo
Çaushollajt shkaktonin grindje duke u pështetur në malësorët, n'agallarët e Ulqinit, si
edhe në tregëtarët e në tarafin e Terzivet brenda në qytet. Mahmud Pashë Begolli u
vra më 1739, dhe vendin e tij si mytesarrif i Shkodrës e zuri Jusuf Çausholli, i cili
s'pati vështirësi për të siguruar fermanin e Sulltanit. Por lufta e brendëshme vazhdoi
akoma ndërmjet Begollaj e Çaushollaj, ose tarafëve të tyre. Kish ca kohë që Mali-i-Zi
ishte shkëputur prej sanxhakut të Shkodrës dhe qëndronte si krahinë praktikisht e
pavarur. Po ashtu deshën të bënin agallarët e Ulqinit, të cilët nuk pranonin autoritet
mbi krye. Pasi vendin e mytesarrifit, në Shkodër e zunë disa herë me radhë Çaushollaj
e Begollaj (këta të fundit pështetëshin sidomos në tarafin e Tabakëvet), dhe grindja
s'kishte të sosur Porta e Lartë emëroi si qeveritar të këtij sanxhaku Ymer Pashë
Kavajën, më 1755. Qëllimi ishte që të largohëshin prej fuqie të dy familjet
kundërshtare e të vihej paqja, por Ymer Pasha ndeshi në të njëjtën luftë tarafesh.

Bejlerët e Vlorës kishin formuar një pashallëk më vehte dhe nuk deshën t'a njihnin
autoritetin e mytesarrifit të sanxhakut, Ismail Pashë Velabishtit, i cili qëndronte në
Berat. Pas disa përpjekjesh me armë, Ismail Pasha u vra më 1764. Sulltani emëroi si
mytesarrif të sanxhakut të Vlorës Ahmet-Kurt Pashën, i cili gjer atëhere kishte
qënë dervenxhi-Pasha (domethënë i ruajtjes s'udhëvet) për Toskërinë dhe krejt Epirin.
Ky e vendosi qendrën në Berat, ku ndërtoi një palë saraje shumë të bukura me gurët e
monumenteve të vjetër të Pojanit (Apollonisë). Ahmet-Kurt Pasha qeverisi 23 vjet, si
besnik i Sulltanit, edhe u përpoq t'a shtrinte sundimin mbi tërë Toskërinë dhe
Shqipërinë e Mesme, por nuk mundi. Nga juga, s'e shtroi dot Kapllan Pashë Delvinën,
kundër të cilit u nis me urdhër të Stambollit; nga veriu, s'e pushtoi dot Tiranën dhe u
thye disa herë prej Bushatlijve të Shkodrës. Nuk shkoi mirë as me të dhëndërrin,
Ibrahim Pashë Vlorën. Luftat e Ahmet-Kurt Pashës i cili gëzoi gjer në fund besimin e
Sulltanit, nuk mundën t'a nxirnin vendin nga anarkia. Pas vdekjes së tij, më 1787,
qeverimin e Beratit e mori Ibrahim Pashë Vlora.

Nga vetë zhvillimi i luftës për marrjen e fuqisë, ndërmjet pashallarësh, duhej të delnin
disa figura energjike që t'i thyenin kundërshtarët e tyre dhe të formonin pashallëke të
mëdha. Ky ligj u vërtetua. Mbi atë thërrmim anarkik, u ngritën më në fund dy
pashallëke të gjera, si dy shtete autonome, që lozën një rol të madh brenda dhe jashtë
Shqipërisë: Pashallëku i Shkodrës, me Bushatlijtë, dhe ai i Janinës, me Ali Pashë
Tepelenën.

Më 1756, në Shkodër vazhdonin trubullimet, sepse Çaushollajt kërkonin të merrnin


fuqinë duke përzënë Ymer Pashë Kavajën. Por këtë radhë kishte dalë në skenë një
figurë tjetërlloj energjike, Mehmet Bej Bushati. Duke u pështetur në tarafin e vjetër të
Begollajvet, e sidomos me ndihmën e esnafit të Tabakëvet, Mehmet Bushati i mposhti
kundërshtarët e tij në qytet dhe mori në dorë qeverimin e Shkodrës. Sulltani e njohu
mytesarrif, si pas zakonit, dhe i dërgoi titullin pasha. Ky është themelonjësi i Shtëpisë
së Bushatlijvet, që mundi t'a qeveriste Shqipërinë e veriut si një principatë pothuajse
autonome për 75 vjet, prej 1757 gjer më 1831.

Duke u treguar në fillim si besnik i Portës së Lartë dhe duke përdorur më nj'anë forcën
e në tjetrën politikën, Mehmet Bushati ose Mehmet Pashë Plaku, siç është quajtur,
vuri qetësi në tërë qarkun e Shkodrës, futi nën sundim Ulqinin, Leshin, dhe e shtriu
fuqinë e tij gjer në Shqipërinë e Mesme. Bëri një politikë t'urtë me malësorët duke iu
lënë lirinë e vetqeverisjes sipas kanunit të malevet dhe siguroi kështu përkrahjen e
tyre. Për të gjitha këto shërbime, Sulltani e nderoi me titullin vezir, që iu dha më vonë
edhe Ali Pashë Tepelenës. Djali m'i madh i Bushatliut, Mustafa Pasha u emërua
mytesarrif i Dukagjinit, dhe pastaj i Elbasanit. Në këtë mënyrë, Mehmet Pashë Plaku
pregatiti në Shqipërinë veriore baza të forta për pasardhësit e tij. Po kur e ndjeu vehten
mjaft të fuqishëm, Plaku Bushatli nisi të mos iu mbahej urdhërave të Stambollit, të
mos paguante pjesën e t'ardhuravet që duhej t'i shkonin Perandorisë dhe të mos e
fshihte qëllimin e tij për t'u bërë sa m'i pavarur. Prandaj thuhet se vdiq i helmuar më
1775.

Në vend të Bushatliut, Sulltani emëroi si mytesarrif të Shkodrës Mehmet Pashë


Qystendilin, por Shkodra dhe malësitë nuk e pranuan. Me përkrahjen e vendit, e mori
fuqinë Mustafa Pashë Bushati, i biri i Mehmet Pashë Plakut. Porta e Lartë nuk desh ta
njihte këtë dhe dërgoi kundër tij një ushtëri, e cila kishte urdhër që "të zhdukte nga
faqja e dheut djemtë e fëlliqur të Mehmet Pashë Shkodranit". Por kjo fuqi u thye dhe u
shtrëngua të zmbrapsej. Atëhere për t'i vajtur gjoja fjala në vend, ose edhe me qëllim
që t'iu shtinte grindjen në familje, Sulltani njohu si qeveritar të Shkodrës jo
Mustafanë, por të vëllanë e tij, Mahmud Bushatin, i cili përmendet në histori me
emrin Kara Mahmud Pasha. Ky është figura m'e shquar e Bushatlijvet dhe një nga
figurat më të forta që ka nxjerrë Shqipëria gjatë sundimit turk. Vuri rregull në krahinat
e veriut dhe deri në Shqipërinë e Mesme, i dha shtytje tregëtisë dhe zejtarisë së vendit,
siguroi përkrahjen e malësorëvet duke iu njohur liritë zakonore dhe duke sjellë afrimin
midis fevet, mbajti në këmbë një ushtëri të fortë dhe ndoqi kundrejt Portës së lartë një
politikë të pavarur. U përpoq të përfshinte në pashallëkun e tij Malin-e-Zi, i cili disa
kohë më parë ishte shkëputur nga sanxhaku i Shkodrës dhe Porta e Lartë e kishte
lidhur me Bosnjën.

Natyrisht, qeveria e Stambollit e kërcënoi disa herë se do ta hiqte nga fuqia, i shkaktoi
trazime të brendëshme dhe shtyti kundër tij pashallarët e tjerë të Shqipërisë, sidomos
Ahmet-Kurt Pashën e Beratit. Por Kara Mahmudi i shtypi këto lëvizje, e theu Pashanë
e Beratit afër Peqinit dhe e shtroi nën urdhërat e tija të tërë Shqipërinë e Mesme.
Sulltani atëhere e shpalli fermanli dhe ngarkoi valiun e Rumelisë, Avdi Pashën, që
t'organizonte kundër Bushatliut një shpeditë më të gjerë, në të cilën do të merrnin
pjesë edhe fuqitë e Bosnjës. Kara Mahmudi e goditi ushtërinë turke në Kosovë, në
Gusht të vitit 1785, edhe e theu plotësisht. Këto fitore e bënë emrin e tij të dëgjuar
n'Evropë.

Duke manevruar ndërmjet Austrisë dhe Rusisë që shpeshëherë ishin në luftë me


Turqinë, Kara Mahmud Bushati mendoi të krijonte një shtet të pavarur i cili të
përfshinte, përveç Shqipërisë së veriut dhe së Mesmes, Malin-e-Zi dhe mundësisht
Bosnjë e Herzegovinë. Me këtë qëllim u pështet për disa kohë në politikën e Austrisë.
Më 1786, ai mblodhi në Podgoricë një kuvend të përgjithshëm krerësh nga viset
shqiptare e sllave që desh të bashkonte dhe bëri me t'a një lidhje nën drejtimin e tij.
Për t'u treguar i paanshëm ndërmjet fevet, Kara Mahmudi u betua mbë Kuranin dhe
mbë Ungjijtë e të dy Kishavet, katolike e orthodokse. Kjo ishte si një çfaqje e parë e
lëvizjes ilirike që u ndie më vonë në disa vise sllave. Austrisë i pëlqyen këto përpjekje
për bashkimin e forcave ballkanike kundër Turqisë, e prandaj Perandori Jozefi II i
dërgoi Kara Mahmudit si dhuratë një kryq t'ergjëndtë. Ndërkaq, Porta e Lartë e kishte
"falur" Pashanë e Shkodrës.

Por më 1787, duke përfituar nga lufta ruso-turke dhe nga largimi i forcavet të
Rumelisë, Kara Mahmudi hyri në Kosovë, të cilën desh t'a bashkonte me pashallëkun
e tij. Përzuri që andej qeveritarë e nëpunës turq dhe i zëvendësoi me besnikët e vet.
Sulltani e shpalli fermanli për të dytën herë dhe ngarkoi Mahmud Pashë Ajdosin që
t'organizonte kundër Bushatliut një shpeditë të madhe nga toka e nga deti.
Njëkohësisht Porta e Lartë emëroi si mytesarrif të Shkodrës kundërshtarin e vjetër të
Bushatlijvet, Mehmet Pashë Çaushollin. Kara Mahmudi iu dolli përpara forcavet të
Rumelisë edhe i ndali mbi luginën e Drinit. Nga ana tjetër, malësorët e tij i prenë
udhën valiut të Bosnjës që po zbriste drejt Shkodrës. Mirëpo, përbrenda kundërshtarët
shqiptarë ngritën krye dhe, në bashkëpunim me flotën turke, zunë Tivarin dhe
Ulqinin, në Gusht 1787. I goditur në të dy krahët, Kara Mahmudi u shtrëngua të
tërhiqej në Shkodër dhe të mbyllej në kështjellen e Rozafatit. Ndonëse i rrethuar nga
të gjitha anët dhe i rrahur me artileri të rëndë, Bushatliu s'e humbi toruan. Me
ndihmën e malësorëvet që u shkulën të gjithë, myslimanë e katolikë, për të shpëtuar
Bushatlinë, dhe duke përfituar nga urrejtja që po shkaktonin në Shkodër ushtëritë
armike me plaçkitjet e përdhunimet e tyre, Kara Mahmudi organizoi një sulm të
përgjithshëm prej brenda e jashtë qytetit dhe e shpartalloi rrethimin, më 25 Nëntor
1787. Ushtëria turke u thye e u tërhoq, kundërshtarët shqiptarë u nënshtruan, Mehmet
Çausholli u vra prej malësorëvet tek po ikte. Kjo fitore e Bushatliut bëri bujë n'Evropë
më shumë se të tjerat.

Porta e Lartë nuk mundi t'i vazhdonte vepërimet me armë kundër Pashajt të Shkodrës
sepse ndodhej e mbërthyer me Rusinë. Më 1788 hyri edhe Austria në luftë kundër
Turqisë. Ishte rasti që Kara Mahmudi të shfrytëzonte gjendjen e jashtëme për të
krijuar një shtet të pavarur ose për t'u bërë mbret i Shqipërisë, siç mendohej n'atë
kohë. Prandaj afrimi i tij me Austrinë u tregua edhe m'i ngushtë. Për t'i dhënë
përkrahjen Pashajt të Shkodrës, Viena kërkonte që ky të hidhej në luftë kundër
Turqisë. Kara Mahmudi mendoi t'i loste zaret në këtë drejtim, por ndeshi në
fanatizmin e disa qarqeve myslimane, përbrenda, që s'mund t'a gëlltitnin idenë e
luftimit krah për krah me shtetet e krishtere kundër Osmanllisë. Kundërshtimi u çfaq
haptazi në Shkodër duke pasur në radhët e tij edhe një të vëllanë e Kara Mahmudit,
Ibrahim Pashë Bushatin, njeri pa vleftë e turkoman i bindur i Portës së Lartë. Deri
tarafi i Tabakëvet, që kishte qënë qysh në fillim i lidhur me Bushatlijtë, zuri të
lëkundej. Kara Mahmudi iu ra me grusht të fortë kundërshtarëvet turkomanë duke
varur disa prej tyre, nër t'a edhe kryetarin e Tabakëvet, Tahir Agë Jukën. Bisedimet
me Austrinë filluan. Viena dërgoi në Shkodër një komision ushtarak të kryesuar prej
të besuarit De Brognard. Kërkesat e saja ishin që Kara Mahmudi me Shqiptarët e tij
dhe me forcat malazeze t'i binte ushtërisë turke prapa krahëvet në frontin e lumit Sava.
Komisioni bisedoi hollësitë e bashkëpunimit ushtarak dhe i sillte Pashajt të Shkodrës
një shumë të hollash për shpenximet e luftës. Kara Mahmudi i pranoi këto kushte, por
pastaj ndërroi mendim menjëherë, këputi çdo lidhje me Austrinë dhe i vrau me të
pabesë agjentët e saj.

Ky lloj vepërimi i Pashajt të Shkodrës duket i pashpjeguarshëm, por duhet të ketë


pasur arësyet e tija. Ka të ngjarë që Kara Mahmudi të mos i ketë zënë besë Austrisë, e
cila i kishte gënjyer Shqiptarët disa herë dhe bënte të tjera marrëveshje me Malin-e-Zi
ose edhe me mbretin e Napolit, duke i premtuar këtij daljen e lirë në Shqipëri. Ka të
ngjarë gjithashtu që kundërshtimi i Myslimanëve fanatikë, përbrenda, t'i jetë dukur
mjaft i fortë dhe që agjentët e Austrisë do të kenë dashur të përçanin Katolikët. Për të
gjitha këto arësye, Kara Mahmudi do të ketë menduar më në fund se s'kishte tjetër
sigurim më të mirë për të veçse të qëndronte i lidhur me Turqinë. Sa për vrasjen e
agjentëvet t'Austrisë, ky ishte një vepërim thjeshtësisht makiavelik, për t'iu dhënë
provën fanatikëve myslimanë dhe Portës së Lartë se ai këputi çdo lidhje me armikun
e Osmanllisë. Kjo punë e shëmtuar ngjau në verën e vitit 1788.

Marrëdhëniet e Kara Mahmudit me Portën e Lartë u ndreqën një vit më vonë, mbasi
Turqia, në luftë me Austrinë dhe Rusinë, kishte nevojë për forcat e Pashajt të
Shkodrës. Sulltani e fali këtë, sipas zakonit, i dha titullin vezir, dhe e dërgoi në frontin
e Bosnjës. Kjo shkaktoi që Malazeztë, me shtytjen e Rusisë u kthyen kundër
Bushatliut edhe u vunë të dëmtonin pashallëkun e tij. Në vjeshtën e vitit 1790, Kara
Mahmudi e la frontin e Bosnjës edhe u kthye në Shkodër. Por në prendverën e 1791-
së, iu desh të shkonte me ushtërinë e tij në Vidin (Bullgari), ku qëndroi deri në Gusht
t'atij viti, atëhere kur Turqi e Austri nënëshkruan në Sistovo një paqe të veçantë. Me
t'u kthyer në Shkodër, Kara Mahmudi, që nuk i trembej më Austrisë, ndërmori përsëri
politikën e tij të pavarur kundrejt Portës së Lartë. Desh t'iu jepte një mësim Malazezve
për sjelljet e tyre gjatë luftës dhe t'i lidhte me pashallëkun e Shkodrës, pa marrë
parasysh që cënonte në këtë mënyrë kushtet e traktatit të Sistovos. Por fuqitë e tija u
zmbrapsën dy herë pa e shtruar dot Malin-e-Zi. Kurse në Shqipërinë e Mesme mundi
t'a rivendoste pushtetin mbi disa bejlerë e pashallarë që kishin dashur të shkëputëshin.

Këto vepërime të Bushatliut e shqetësuan prapë Portën e Lartë, e cila i tërhoqi vrejtjen
disa herë edhe u vu të bënte kërcënime ose të nxiste fanatizmin fetar për të shqepur
rrethin e tij. Një nga ata që u tronditën nga kjo propagandë, ishte i vëllaj i Kara
Mahmudit, Ibrahim Pasha, i cili shkoi e u vendos në Stamboll si i nënshtruar i
Sulltanit. Sikurse parashihej, Kara Mahmudi u shpall fermanli për të tretën herë, nga
mbarimi i vitit 1792, dhe për të kumanduar shpeditën kundër tij u ngarkua valiu i
Rumelisë, Ebubeqir Pasha. Njëkohësisht, të gjithë pashallarët e Shqipërisë muarën
urdhër që të nisëshin me forcat e tyre kundër Bushatliut. Në verën e vitit 1793,
Ebubeqir Pasha, në krye të një ushtërie prej 30.000 vetash, iu drejtua Shkodrës. U nis
nga Janina edhe Ali Pashë Tepelena, i cili përfitoi nga rasti për të shkëputur
sanxhakun e Ohrit duke vënë aty mytesarrif të birin, Myftar Pashën, me anën e një
fermani që nxori prej Sulltanit.

Kara Mahmudi nuk vonoi t'iu delte përpara ushtërivet turke, por u shtrëngua edhe këtë
radhë të tërhiqej e të mbyllej në kështjellën e Rozafatit. Ngjarjet u zhvilluan si gjashtë
vjet më parë. Me ndihmën e malësorëvet, që jashtë, dhe të qytetarëvet, që brenda,
duke dalë edhe vetë prej kështjellës me ushtarët e tij, Kara Mahmudi i bëri ushtërisë
turke një mësymje të përgjithshme aq të rreptë e aq të papritur, në zbardhullim të 28
Nëntorit 1793, sa që valiu i Rumelisë, Ebubeqir Pasha, mezi hapi rrugën për t'ikur, i
ndjekur gjer përtej Leshit. Bushatliu mbeti përsëri i zoti i vendit.

Duke mos pasur se ç'të bënte, Porta e Lartë e zbuti prapë qëndrimin kundrejt Kara
Mahmudit. Pas pak kohe, ky pushtoi Prizrendin dhe pregatitej të bashkonte Kosovën
me pashallëkun e tij. Por desh më parë të nënshtronte Malin-e-Zi, i cili i pengonte
edhe rrugën drejt Dalmacisë. Prandaj, në verën e vitit 1796, Kara Mahmudi iu fut
Malit-të-Zi me një ushtëri të madhe. Por aty, duke qënë vendi i fortë prej natyre,
luftimet qenë të përgjakshme, humbjet të rënda, aq sa Bushatliu u vra edhe vetë më 22
Shtator 1796.

Me vrasjen e Kara Mahmud Bushatit, e humbi edhe Shqipëria një farë shprese për t'u
bërë autonome ose edhe e pavarur. I vëllaj i tij, Ibrahim Pasha, të cilin Sulltani e
emëroi menjëherë mytesarrif të Shkodrës, ishte i paaftë dhe turkoman i nënshtruar i
Portës së Lartë. Ky u kthye në politikën e vjetër të bindjes dhe të fanatizmit fetar,
duke shkaktuar përcarje ndermjet Myslimanëve e Katolikëve. Qeverisi e qëndroi si
vegël e Stambollit. E kënaqur prej besnikërisë së tij, Porta e Lartë ia rriti shkallën dhe
e bëri vali të Rumelisë, më 1804. Ibrahim Pasha u dërgua, bashkë me valiun e Bosnjës
për të shtypur kryengritjen e Serbvet më 1806. Por aty pati humbje të rënda dhe u
largua i mundur prej Serbie. Atëhere Sulltani e shkarkoi për pazotësi nga detyra e
valiut të Rumelisë dhe e dërgoi në Shkodër si mytesarrif të thjeshtë. Ibrahim Pasha
desh të përzjehej në grindjet e feudalëvet të Tiranës, por as aty nuk i eci. Pas vdekjes
së tij më 1810 plasën përsëri trazimet në Shkodër, ku Porta e Lartë emëroi si
mytesarrif të birin e Ibrahim Pashës, Tahir Bushatin i cili ishte edhe nga mosha i
vogël. Lufta e hapët ndërmjet tarafesh dhe interesash u ashpërsua si një gjysëm
shekulli më parë, por këtë radhë i shtynte e i përdridhte konfliktet edhe dora
mjeshtërore e Ali Pashë Tepelenës. Më në fund gjendja u qetësua më 1811 kur me
përkrahjen e anës më të fortë të Shkodranëvet e mori fuqinë një i nipi i Kara
Mahmudit, Mustafa Bushati, i njohur me emrin Kara Mustafa Pasha. Porta e Lartë u
detyrua t'i dërgonte fermanin dhe më vonë, titullin vezir. Kara Mustafa Pasha, edhe
pse nuk ishte në lartësinë e Kara Mahmudit, mundi t'a qeveriste Shkodrën dhe
Shqipërinë e veriut si një principatë gjysëm-autonome gjer më 1831.

I dyti pashallëk autonom i Shqipërisë ishte ai i Janinës, që u formua prej Ali Pashë
Tepelenës. Lindur në Tepelenë më 1744, i biri i Veli Beut dhe i Hankos, Aliu e kish
kaluar djalërinë e tij si kapedan hajdutësh nëpër krahina shqiptare dhe greke. Ishte
njohur e lidhur me banda martallozësh dhe hajdutësh grekë. I pajisur me një vullnet të
hekurt dhe zgjuarësi të rrallë, i shkathët, gojëmbël, trim, por i pabesë, ahmarrës,
intrigant i pashoq dhe pa kurrfarë ndërgjegje morale, Aliu filloi të përzjehej fort i ri
n'anarkinë e Shqipërisë së jugës, për të kënaqur ambicjet dhe lakmitë e tija të
pangopshme. Për t'u mbrojtur nga ndjekjet e Ahmet Kurt Pashës së Beratit, i cili
ishte dervenxhi-Pasha i Toskërisë dhe i Epirit, Aliu lidhi miqësi me kundërshtarin e
atij, Kapllan Pashë Delvinën. Edhe ky kish nevojë të pështetej në bandat e hajdutëve
t'Aliut për t'i qëndruar Ahmet-Kurt Pashës. Miqësia ndërmjet tyre u forcua me
krushqi, Aliu u martua me të bijën e Kapllan Pashës, siç e mendoi dhe e rregulloi e
famshmja Hanko, fort e zonja për këso punësh.
Për Ali Tepelenën, çdo vepërim që i jepte fuqi e pasuri ishte i mirë. Hyri në lidhje si
agjent me valiun e Rumelisë dhe pastaj me qarqet e Stambollit, krijoi të paqëna,
vazhdoi intrigat, çpifjet, komplotet, pa kursyer as të vjehrrin, Kapllan Pashën. Këtij i
thuri çpifjet më të zeza pranë valiut të Rumelisë me qëllim që t'a humbiste për t'i zënë
vendin. Kur valiu e thirri Kapllan Pashën në Manastir, dhe ai nuk desh të vinte, Aliu i
mbushi mendjen që të shkonte, sepse e dinte që nuk do të këthehej, siç nuk u kthye
më. Ndonëse nuk u emërua përnjëherësh në vend të të vjehrrit, vazhdoi intrigat dhe
komplotet kundrejt pasardhësvet të tij, gjersa më në fund Porta e Lartë i dërgoi
fermanin si mytesarrif i Delvinës dhe titullin pasha, më 1785. Një vit më vonë, Aliu u
dërgua mytesarrif në Tërhallë, sanxhak i rëndësishëm por i zhytur në nj'anarki të
plotë. Aty nuk pati vështirësi të vinte rregullin brenda pak kohe, duke zhdukur bandat
e hajdutëvet dhe duke shtruar të pabindurit. Pasi dha këtë provë zotësie, u emërua, më
1787,dervenxhi-pasha i Epirit për të siguruar udhët e Pindit. Por Ali Tepelena
mendonte gjëra më të mëdha. Prandaj, më 1788, hyri me forcë në Janinë, duke
përfituar nga grindjet e brendëshme, edhe u bë sundimtari i saj. Kështu u vendos mu
në qendër t'Epirit, pozitë gjeografike nga më të mirat për t'i dhënë fuqisë së tij
mundësi zgjerimi. Porta e Lartë s'pat se ç'të bënte dhe e njohu qeveritar të Janinës.

N'atë kohë, n'Epir zjente anarkia. Bejlerë, agallarë, derëbenj, nuk i bindëshin
autoritetit. Hajdutët prisnin rrugët, martallozët mujshonin fshatarët. Derëbenjtë ishin
disa bejlerë të vegjël, zakonisht nëpër viset malore ku s'mund të bënin çifliqe, e që
kishin gjetur një tjetër mënyrë shfrytëzimi: këta merrnin nën mprojtje kundër
hajdutëve ose bejlerëve të tjerë një a më shumë fshatra, kundrejt një takse vjetore të
caktuar, në natyrë ose në të holla. Për t'i shtrënguar fshatarët të futëshin nën mprojtjen
e tyre, derëbenjtë i ndërsenin vetë hajdutët që t'iu binin më qafë. Edhe i ati i Aliut,
Veli Beu, pat qënë sundimtari i Tepelenës dhe derëbej i Hormovës. Pas vrasjes së tij,
më 1753, Aliu i vogël u rrit nën drejtimin e s'ëmës gjarpërusha Hanko, e cila ndikoi
shumë në formimin e karakterit të të birit. Përkrah derëbenjvet qëndronin martallozët,
të cilët në fillim kishin qënë rojtës katundesh, po pastaj ishin organizuar edhe ata në
banda. Martallozë e koxhabashë, që shpeshëherë ishin të lidhur ndërmjet tyre,
mbizotëronin në fshatrat e krishtere.

Kur hyri në Janinë Ali Tepelena, që kishte marrë nam si njeri i pashpirt, u prit me
frikë prej tërë botës dhe prej gjithë tarafevet. Por ai u mundua t'i siguronte se do të
vinte qetësinë dhe do të mbante drejtësinë duke i shikuar njëlloj si Myslimanët dhe të
Krishterët, si Shqiptarët dhe Grekët. Në pak kohë, nënshtroi ose arrestoi të pabindurit,
zhduku ose shpërndau bandat e hajdutëve, bëri për vehte, duke i mbajtur në fre, disa
nga kapedanët e këtyre dhe përgjithësisht martallozët. Vuri garnizone ushtarësh nëpër
qendra e vende-kyç për të siguruar udhët, për të mbajtur qetësinë. Ata që s'u
nënshtruan nga derëbenjë dhe çifligarët e mëparshëm, ose u vranë ose u arratisën.
Shumë prej tyre u kalbën në burgjet e Janinës. Aliu ua rrëmbeu çifliqet për vehte,
duke iu dhënë nga një rretër edhe përkrahësvet të tij. Kështu, nën sundimin e Ali
Tepelenës, "qengji mund të flinte pranë ujkut", siç shkroi një nga oborrtarët e tij.

Për të sendërtuar (realizuar) ato që kishte nër mend, domethënë krijimin e një
principate sa më të gjerë që t'ishte e mundur, Aliut i duhej të luftonte kundër
pashallëkeve të tjera dhe krahinave të pabindura, duke e mbajtur përkohësisht mirë me
Portën e Lartë dhe duke shfrytëzuar ndërrimet e gjendjes ndërkombëtare. Për këtë
punë i duhej parashikim, dhelpëri, fshehje qëllimesh, gjetje shkaqesh, zgjedhje
çastesh, mbulesë "ligjore" e të tjera djallëzi të këtij lloji, për të cilat Aliu kishte lindur
gjeni. Gjatë Revolucionit Frëng dhe luftavet napoleoniane që i prunë n'ishujt e detit
Jon fqinjë të padëshiruarshëm, Frëngj, Rusë, e pastaj Anglezë, Aliu dijti të
manevronte me mjeshtëri dhe njëkohësisht me dorë të fortë, duke treguar një instinkt
politik nga më të rrallët. Me dhurata e ryshfete, përveç intrigavet djallëzore, bënte për
vehte qarqet e Portës së Lartë edhe i sillte vërdallë, aq sa disa herë pat mundur të
ndryshonte edhe qeveritë në Stamboll. Thuhet se me spicat e tija pati gisht në
kryengritjen e jeniçerëvet dhe vrasjen e Sulltan Selimit më 1808. Agjentët e tij, në
Stamboll e kudo gjetkë, zhbironin çdo gjë dhe futnin gjithkund intrigat e Aliut.

Mbasi u vendos mirë në Janinë, ai filloi të pregatitej për zgjerimin e mëtejshëm duke
grumbulluar sa më shumë t'ardhura, duke ndrequr fortesat dhe duke ngritur në këmbë
një ushtëri të rregullt, me artileri e të gjitha armët. T'ardhurat e tija u shtuan shpejt, jo
vetëm me anën e taksavet po edhe me çifliqet që iu rrëmbeu feudalëve të tjerë. Për t'i
dhënë Janinës dalje të plotë në det, Aliu më parë pushtoi Artën, e cila ishte skela m'e
rëndësishme e Epirit. Pastaj u drejtua nga qytetet e Toskërisë duke i marrë me radhë:
Konicën, Libohovën, Përmetin, Tepelenën, Këlcyrën. Këto atëhere varëshin prej
pashallëkut të Beratit, ku vendin e Ahmet-Kurt Pashës, vdekur më 1787, e kishte zënë
Ibrahim Pashë Vlora. Ndërmjet këtij edhe Aliut pati një përpjekje me armë, por më në
fund punët u rregulluan me krushqi: i biri i Aliut, Myftari, mori për grua të bijën e
Ibrahim Pashës, dhe ky qytetet e lartpërmendura ia dha gjoja së bijës si pajë. Më vonë,
djali i dytë i Aliut, Veliu, u martua me vajzën e dytë t'Ibrahim Pashës, por, siç do t'a
shohim më poshtë, lidhjet familjare nuk e shpëtuan këtë të shkretin nga kthetrat e
kuçedrës së Janinës.

Zgjerimi i pashallëkut t'Ali Tepelenës dhe dalja e tij n'Artë shqetësoi Republikën e
Venetikut, e cila kishte nën sundim Ishujt Jonianë dhe disa skela në bregdetin e Epirit.
Republika shtyti kundërshtarët e Aliut që të lidhëshin kundër tij, iu dha armë
krahinavet malësore të Himarës e të Sulit si edhe bejlerëvet të Çamërisë, dhe strehoi
në zotërimet e saja t'arratisurit e ndjekur prej Pashajt të Janinës. Aliu desh më parë të
shtronte Suliotët, rrezikun e të cilëve e ndjente më afër edhe i filloi vepërimet kundër
tyre më 1790. Por n'atë kohë mori urdhër nga Porta e Larte për t'u nisur kundër
Rusëvet në frontin e Danubit. Kur u kthye që andej, ndeshi në një lidhje të formuar
kundër tij në Shqipërinë e jugës, me shtytjen e Venetikut. Në krye të feudalëvet
kundërshtarë qëndronte Ibrahim Pashë Vlora. Mbasi në lidhjen merrnin pjesë edhe
Suliotët, Aliu nuk pati vështirësi ta përçante duke e paraqitur si një komplot kundër
Turqisë. Prandaj fuqitë e tija i nisi përsëri në drejtim të Sulit, më 1791, por as këtë
radhë nuk mundi t'a shkelte. Kurse me Ibrahim Pashë Vlorën i ndreqi punët me të
mirë duke bërë krushqinë e dytë. Shkaku që Aliu nuk i jepte akoma grushtin e fundit
Pashajt të Beratit, ishte që të mos zgjuante dyshime te Porta e Lartë. Gjendja
ndërkombëtare n'atë kohë ishte sjellë në dobi të Turqisë. Revolucioni Frëng i kishte
trembur fuqit e mëdha t'Evropës, të cilat tani ishin lidhur kundër Francës. Si rrjedhim,
Austria dhe Rusia e prenë luftën kundër Turqisë, kështu që pesha e tyre nuk po
rëndonte më mbi këtë. Sulltan Selimi III, që mbretëroi prej 1789 gjer më 1808, desh të
përfitonte nga lehtësimi i presionit të jashtëm për t'organizuar shtetin përbrenda, e
prandaj shpalli t'ashtuquajturin "Rregullim i Ri", Nizam-i-Xhedid, i cili parashihte
mëkëmbjen e një ushtërie të re, reformimin e financavet dhe forcimin e autoritetit
shtetëror otoman mbi pashallëket gjysëm-autonome. Aliu e kuptonte gjendjen, e
prandaj n'ato kohë nuk mund të vinte në kundërshtim me Portën e Lartë. Asaj vazhdoi
t'i shprehte besnikërinë, me anë lajkash e ryshfetesh por pa hequr dorë nga qëllimet e
tija. Disa kqyrës të huaj që patën të bënin me të ca vjet më vonë, formuan mendimin
se bindja e tij ndaj Portës së Lartë ishte një taktikë e përkohëshme dhe se, në të
vërtetën, ai synonte krijimin e një shteti të pavarur porsa t'i paraqitëshin rrethanat e
favorshme.

Fitoret e Napoleon Bonapartit n'Itali dhe traktati i Campoformio-s që e fshinte nga


harta Republikën tregëtare të Venetikut më 1797, i prunë Ali Tepelenës fqinjë të tjerë
në bregdetin e Epirit dhe n'ishujt Jonianë. Ai u përpoq t'a shfrytëzonte gjendjen e re
dhe i dërgoi gjeneral Bonapartit më 1 Qërshor I797 një letër përgëzimesh ku tregohej i
gatishëm për të ndihmuar Frënqtë në pushtimin e Shtatë-Ishujvet. Përgjigjia që mori
nga anë e Bonapartit e siguronte për miqësinë e Francës, por nuk i jepte as një copë
tokë. Të Shtatë-Ishujt e detit Ionian dhe limanet e Epirit, Prevezën, Vonicën, Pargën
dhe Butrintin i pushtoi ushtëria frënge sipas marrëveshjes që kishte bërë me Austrinë.
Mbasi Napoleoni kishte nër mend shpeditën e Egjyptit, dhe Pashaj i Janinës mund t'i
duhej për t'i nxjerrë Turqisë ngatërresa në Ballkan marrëdhëniet e Frëngve me Ali
Tepelenën qenë të mira. Ata i dhanë ca armë e municione dhe e lejuan të mbante një
flotë të vogël në detin Jon, kurse Venetiku s'e kishte lënë. Me anën e këtyre anijeve,
duke kaluar nëpër kanalin e Korfuzit, Ali Tepelena shkarkoi befas një fuqi ushtarake
në Himarë në prendverën e vitit 1798, dhe shkretoi disa fshatra të saj. Po atë vit mori
urdhër nga Porta e Lartë që të nisej për në Vidin, Bullgari, për të shtypur një pasha
kryengritës.

N'atë kohë Napoleoni kishte zbritur n'Egjyptë dhe kërcënonte interesat britanike në
Mesdhe, prandaj Anglia, Rusia dhe Turqia u lidhën bashkë kundër Francës. Flota
ruso-turke po gatitej t'i përzinte Frënqtë prej ishujvet Jonianë për t'i vënë këta nën
kontrollin e Rusisë. Por Turqia duhej të merrte n'atë rast limanet e bregdetit t'Epirit.
Prandaj Ali Tepelena u kthye menjëherë prej Bullgarie dhe sulmoi ushtërinë frënge në
Prevezë, Vonicë, Butrint, të cilat qytete edhe i pushtoi. Porta e Lartë u kënaq prej
vepërimevet të tija dhe i dërgoi titullin vezir. Admirali anglez Nelson e përgëzoi duke
e quajtur "hero i Epirit". Rreth atyre kohëve, me një tjetër dekret të Sulltanit Aliu u
mbiquajt "Asllan" prandaj auktorët britanikë e përmendin zakonisht me emrin Ali the
Lion.

Në Shkurt 1799, flota ruso-turke pushtoi Korfuzin dhe i përzuri Frënqtë prej ishujvet
Jonianë. Tani pashallëku i Janinës kishte si fqinjë Rusët. Ali Tepelena nuk ngurroi t'iu
shprehte edhe këtyre "ndjenjat miqësore" dhe t'iu kërkonte ndihmën duke premtuar se
do t'ishte aliat i përhershëm me ta. Po Rusët përkrahnin popujt orthodoks në Ballkan
dhe nuk kishin nevojë për miqësinë e një pashaj mysliman, siç ishte Aliu. Prandaj
marrëdhëniet e këtij me fqinjët rusë qenë fort të këqia.

Të qënët e Rusëve aty afër iu dha zemër Suliotëvet, si Orthodoks, dhe nga ana tjetër i
zgjoi shqetësimin Ali Pashës. Ky vendosi atëhere t'a rifillonte luftën kundër tyre gjer
me nënshtrimin e plotë të Sulit. Kështu iu shtua edhe një tjetër fletë tragjike historisë
shqiptare.

Suliotët ishin malësorë shqiptarë, të strukur me kohë në malet e Sulit, në jugë t'Epirit,
ku patën jetuar të lirë e të pavarur. Përbënin shtatë fshatra dhe ndahëshin në disa farë
(në kuptimin fis të malësive të veriut). Rregullohëshin midis tyre sipas kanunit të
vjetër të Shqiptarëvet dhe çështjet e përbashkëta i shikonte kuvendi i pleqësisë, i cili
merrte edhe vendimet. Lirinë e tyre Suliotët e mpronin, natyrisht, me armë. Dhe mbasi
në malet e Sulit, përveç gjësë së gjallë, bëhej fort pak drithë, ata plaçkitnin nganjëherë
fshatrat e fushave rreth e qark ose iu vinin haraç duke i mprojtur prej hajdutëve të
tjerë. Mbasi jetonin me pushkë në dorë, kishin nevojë për një farë organizimi dhe për
një kapedan që t'i kumandonte. Këtë të fundit e zgjidhte kuvendi i pleqësisë, zakonisht
në dy nga familjet e para, n'atë të Boçarëve ose të Xhavellajve. Ali Pasha ishte
përpjekur t'i përçante këto me intrigat e tija. E pamë sesi nuk mundi t'a shkelte Sulin
më 1790 e 1791. Porsa Suliotët filluan të lidhnin miqësi me Rusët, më 1799, ai i
sulmoi rishtas. Lufta këtë radhë vazhdoi gjatë, gjer më 1803. Suliotët u mprojtën
trimërisht edhe i prapsën shumë herë sulmet e ushtërisë s'Ali Pashës. Mirëpo më në
fund i lodhi rrethimi, mbetën pa bukë e pa municione sepse rrugët i kishin të prera nga
të gjitha anët. S'mundi t'iu vinte as një ndihmë prej Rusëve, as prej kurkujt tjetër. E
vetëmja gjë që deshën të bënin Rusët, ishte formimi i një lidhjeje të feudalëve
shqiptarë kundër Ali Pashës, domethënë atë që kish dashur të bënte Venetiku disa vjet
më parë. Por Aliu e përçau edhe e shpartalloi këtë përpara kohe. Mundi të përçante
deri Suliotët trima duke afruar Kiço Boçarin, i cili tregohej i pakënaqur sepse kuvendi
i krerëvet, në vend t'atij, kishte zgjedhur si kapedan Foto Xhavellën. Kështu nga
mbarimi i vitit 1803, ushtëritë e Ali Pashës që i kumandonte i biri, Veli Pasha, u futën
thellë dhe i shtrënguan Suliotët, mbetur pa ushqime përpara dimrit, të kërkonin
marrëveshje. Ata pranuan të shpërngulëshin nga Suli me kusht që të lihëshin të lirë
për t'ikur me gra e fëmijë në drejtim të Pargës, e cila ndodhej në duart e Rusëvet. Veli
Pasha e pranoi kërkesën e tyre edhe u lidh me shkrim e me betim se do t'a mbante
fjalën. Po kur Suliotët ishin udhës dhe s'kishin mundësi luftimi, arriti Ali Pasha, në
fund të Dhjetorit 1803, edhe e prishi marrëveshjen e të birit. Dhelpra plakë e dinte që
Suliotët do të hidhëshin menjëherë n'ishujt Jonianë për t'u vënë në shërbim të Rusisë.
Prandaj desh t'i ndalte aty, ku mund t'i vendoste si bujq në çifliqet e tija. Dërgoi fuqi
për t'i kthyer ata që ishin nisur në drejtim të Pargës. Vetëm një pjesë e Suliotëvet, me
kapedan Foto XhavelIën mundi të hidhej në Korfus. Të shumët u kapën rrugës dhe u
ndalën. Një pjesë tjetër nuk desh të dorëzohej dhe luftoi gjersa u shua fare. Skena më
përqethëse e kësaj tragjedie është ajo e një grumbulli grash Suliote që s'deshën t'iu
binin në dorë ushtarëve t'Ali Pashës, edhe u hodhën me foshnjat në krahë prej
shkëmbinjve të Zallongut në fundet e greminës.

Thuhet se Suliotët u hodhën nga shkëmbi duke dredhur valle, me një këngë në gojë që
iu linte lamtumirën e fundit malevet të tyre. Grekët e kanë rrëmbyer këtë skenë të
denjë për tragjedin klasike, edhe e paraqesin më çdo rast si shprehjen më të lartë të
heroizmit grek. Iu kujtojmë se kënga e mallëngjyershme e Suliotevet kumboi në
shqipen më të pastër, dhe s'mund të ketë gjak Shqiptari më të kulluar nga ai që rrodhi
prej plagëvet të tyre. Vetëm stërmbesat e Teutës krenare mund t'ishin të zonjat për një
vepër t'atillë. Suliotët s'dinin fare greqisht, as për të thënë bukë e ujë. Shqiponja e
Sulit, Mark Boçari, i cili është mbiquajtur Leonidha i Greqisë moderne, shkroi në
Korfus më 1809, pranë konsullit të Francës, Pouqueville, një fjalorth greqisht-shqip,
që ruhet edhe sot në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Fati i keq i racës shqiptare ka
qënë që të mbushte botën me heronj duke shkrirë vetvehten.

Sipas një marrëveshjeje ruso-turke nënshkruar më 21 Prill 1800, ishujt Jonianë


formuan gjoja një shtet autonom, Republika e Shtatë-Ishujvet, nën mprojtjen e Rusisë,
e cila mbante të pushtuar edhe skelën e Pargës në bregdetin e Epirit. Rusët u përpoqën
t'i nxirnin ngatërresa Aliut duke shtytur kundër tij bejlerët e Çamërisë e të tjerë
feudalë shqiptarë. Por ai i përçau e i shtypi këto lëvizje. Për të gjetur pështetje
kundrejt Rusëvet, Ali Tepelena iu suall Anglisë dhe kërkoi të lidhte me të një
marrëveshje të veçantë, e cila u arrit në një formë pothuajse zyrtare më 1803.
Anglezët i premtonin Aliut përkrahje kundrejt Rusisë dhe Turqisë, ai zotohej t'iu
shërbente kundër Francës, pavarësisht nga politika që do të ndiqte ndaj kësaj Porta e
Lartë. Megjith ndërhyrjen miqësore t'Anglezëvet, marrëdhëniet e Rusëvet me Ali
Pashën mbetën të ftohta.

Kur Napoleoni, me fitoren n'Austerlitz dhe me traktatin e Petersburgut, në Dhjetor


1805, e këtheu balancën e Evropës n'anë të tij, Ali Pasha vrapoi të hynte në
marrëdhënie me të, por pa i këputur lidhjet me Anglezët. Napoleoni e priti mirë
afrimin e Ali Pashës sepse ky mund t'i shërbente për t'iu marrë Rusëvet ishujt Jonianë.
Pastaj, si Frënqtë edhe Anglezët e dinin që Ali Pasha bënte politikën e tij, të pavarur
nga Porta e Lartë. Kështu Franca dërgoi në Janinë më 1806 një konsull të
përgjithshëm, François Pouqueville, i cili i solli Aliut fjalë të mira nga anë e
Perandorit, duke i premtuar edhe ishullin e Korfuzit në rast se do t'iu merrej Rusëvet.
Me ndërmjetësimin e Francës, Porta e Lartë i bëri disa lëshime Ali Tepelenës
edh'emëroi dy djemtë e tij, Myftar Pashën dhe Veli Pashën, si mytesarrifë në
sanxhaqet e Lepantit e të Moresë. Pas Gjin Bua Shpatës, Ali Tepelena është i dyti
Shqiptar që e ka shtrirë sundimin gjer në jugë të Greqisë.

Por miqësia e Aliut me Francën nuk vazhdoi shumë kohë. Pas fitorevet të tjera që pati
Napoleoni mbi Rusët n'Eylau e në Friedland dhe me paqen e Tilsit, në Korrik 1807,
ishujt Jonianë dhe Parga kaluan përsëri nën sundimin e Francës. Ali Pasha dërgoi një
përfaqësonjës pranë Napoleonit për t'i kërkuar Korfuzin, sipas premtimit, por ajo fjalë
ishte harruar... Përkundrazi, Frënqtë i kërkuan Aliut edhe Butrintin, por ai nuk ua
lëshoi.

I pakënaqur prej Francës, Ali Pasha hyri përsëri në marrëveshje me Anglezët, ndonëse
këta ishin atëhere në gjendje lufte me Turqinë. Iu premtoi ndihmën për dëbimin e
Frënqvet nga ishujt Jonianë duke kërkuar për vehte Pargën dhe ishullin e Santa-
Maurës. Pas nënshkrimit të paqes ndërmjet Anglisë dhe Turqisë, më 1809, Aliu i
vazhdoi bisedimet më lirisht duke dërguar në Londër një njerinë e tij të besuar.
Anglezët, sipas zakonit, i dhanë premtime të mira, po kur i pushtuan ishujt Jonianë,
disa vjet më vonë, s'i lëshuan gjë Aliut. Mbasi deshën t'a kishin si një aliat kundër
Francës, i dërguan ca armë e municione dhe, pak më vonë, ca topa e varrela baruti,
duke e përkrahur njëkohësisht edhe pranë Portës së Lartë.

Ndërmjet vjetëvet 1808-1812, Ali Tepelena futi nën sundimin e tij gjithë Shqipërinë e
jugës dhe të Mesmen, dhe më shumë se gjysmën e Greqisë. Disa kryengritje të
shtytura prej Frënqvet në Greqi dhe në Shqipëri i shtypi si të tjerat. Sulmoi Beratin
duke e rrahur me artileri dhe e shtrëngoi Ibrahim Pashën të largohej në Vlorë, të
nënshtrohej dhe të dërgonte në Janinë të birin si peng. Më në fund e kapi dhe e hodhi
në burg, megjithëse ishte i vjehrri i dy të bijvet. Ndoshta do t'a kishte vrarë sikur të
mos druante zemërimin e Stambollit. Shkatërroi gjithashtu lidhjen e bejlerëve të
Çamërisë, e cila udhëhiqej nga Hasan Çapari dhe Islam Pronja. Këta të dy u dorëzuan
dhe iu shtruan burgut të Janinës. Në të njëjtën kohë Aliu iu vërsul Himarës, të cilën e
nënshtroi. Frënqtë protestuan në Stamboll kundër këtyre vepërimeve t'Aliut dhe
Napoleoni kërcënoi Portën e Lartë. Zgjerimi i fuqisë s'Ali Tepelenës formonte një
rrezik për pozitat e tyre n'ishujt Jonianë. Por Aliu nuk dëgjoi nga këto profka dhe
vazhdoi n'udhën e tij. Mbasi pati shtirë në dorë Beratin dhe Vlorën, mbetëshin akoma
të panënshtruar pashallëku i Delvinës me Gjirokastrën dhe disa feudalë të tjerë aty-
këtu. Frënqtë u përpoqën vazhdimisht t'i shtynin këta kundër Aliut, por ky e theu
Mustafa Pashën e Delvinës, më 1811, e pushtoi atë qytet dhe Gjirokastrën, e disa muaj
më vonë, në Shkurt të vitit 1812, iu dha grushtin e fundit kundërshtarëvet të tij, të cilët
ishin mbledhur në fortesën e Kardhiqit. Se sa u zemëruan Frënqtë për këto vepërime,
kuptohet nga shkrimet e konsullit të tyre në Janinë, Pouqueville, të cilat janë plot helm
e mllef jo vetëm kundër Ali Pashës, po edhe kundrejt Shqiptarëvet në përgjithësi.

Nga krimet më shtazarake t'Ali Tepelenës gjatë atyre vjetëve, janë prishja e Hormovës
dhe e Kardhiqit. Këta fshatra i kishin bërë një fymje s'ëmës, kur Aliu ishte i vogël, e
prandaj iu ruante një urrejtje të thellë. Për t'i mbledhur tok të gjithë burrat e Kardhiqit,
vajti gjoja për t'u pajtuar me ta, i thirri, i mori me të mirë, dhe pastaj iu dha urdhër
ushtarëvet: "vrijini!". Aty u zhvillua një skenë nga më të dhëmbëshmet. Ushtarët
shqiptarë që kishte me vehte, Toskë edhe Mirditas, nuk pranuan të shtinin kundër
njerëzve të çarmatosur. Aliu i tërbuar kërcënoi, përplasi këmbët, shtrëngoi grushtat,
ulëriti, shkumbëzoi, por ata nuk dëgjuan. Më në fund u paraqit Thanas Vaja me një
trupë Grekësh që e kryen atë shërbim xhelati duke vrarë lart nga 800 burra të
Kardhiqit. Me të njëjtën lehtësi, Ali Tepelena, si një bishë e etshme për gjak, iu preu
kokat gjithë bejlerevet që mbante në burgun e Janinës, pa kursyer as Mustafa Pashë
Delvinën për të cilin kishte ndërhyrë Stambolli.

Duke përfituar nga pazotësia e Ibrahim Pashë Bushatit, nga pakënaqësitë që ai


shkaktoi në Shqipërinë e Mesme e të veriut dhe nga trubullimet që plasën në Shkodër
pas vdekjes së tij, Ali Tepelena ndërhyri n'ato vende, me intriga e ryshfete, për t'i
lidhur me pashallëkun e Janinës. Bëri për vehte disa nga sundimtarët e Shqipërisë së
Mesme deri në Krujë, u mundua të gjente përkrahës në Dibër e Mat, dhe t'afronte
Kapidanin e Mirditës, Prenk Lleshin. Kështu, më të shumët e feudalëve të Shqipërisë
së Mesme iu nënshtruan Ali Pashë Tepelenës, sundimi i të cilit arrinte prej
Shkumbinit gjer në Moré të Greqisë.

Kur qeverimin e Shkodrës e mori në dorë Mustafa Pashë Bushati, Ali Tepelena lidhi
krushqi me këtë duke i dhënë për grua të mbesën, Aishe Kadënën, të bijën e Veliut.
Po nusja vdiq pas pak kohe, thuhet se e helmuar prej së vjehrrës, e cila dyshonte se
mos e mbesa e Ali Tepelenës kishte ardhur për t'i helmuar të birin. Mustafa Bushati,
ose Kara Mustafa Pasha, siç është quajtur, për të mprojtur pashallëkun e tij prej
ndërhyrjevet t'Aliut, kërkoi t'afrohej sa më shumë me Stambollin. Porta e Lartë
përfitoi nga ky rivalitet midis dy pashallarëvet më të mëdhenj të Shqipërisë, për të
shtytur Bushatlinë kundër Ali Tepelenës dhe Gegët kundër Toskëvet. Më 1815,
Sulltani i dërgoi Mustafa Bushatit titullin vezir edhe e ngarkonte me detyrën e valiut
mbi sanxhaqet e Shqipërisë veriore gjer n'Elbasan e n'Ohër. Nga ana tjetër, Ali
Tepelena e kuptonte se pashallëku i Shkodrës ishte një kockë e fortë për t'u gëlltitur,
prandaj të dy kundërshtarët vazhduan ta shikonin shtrembët njëri-tjetrin, por pa luajtur
vendit dhe duke qëndruar seicili në cakun e vet.
Peripecitë e luftavet napoleoniane dhe qëndrimet e Turqisë kundrejt Francës ushtruan
ndikimin e tyre në vepërimet e brendëshme dhe politikën e jashtëme t'Ali Tepelenës,
por pa ua ndërruar drejtimin qëllimevet të tija. Pas rënies së Napoleonit, Kongresi i
Vienës i vuri Shtatë-Ishujt Jonianë nën mprojtjen e Anglisë. Kjo nuk i lëshoi gjë Ali
Pashës, dhe vetëm më 1819 mundi ky të merrte qytetin e Pargës.

Kongresi i Vienës dhe Alianca e Shënjtë që ai krijoi më 1815 sillte një kthesë të re në
gjendjen ndërkombëtare. Fuqitë nënshkruëse zotohëshin të mbanin statu quo-
në n'Evropë dhe të mos përkrahnin lëvizjet kryengritëse të kombësivet të shtypura.
N'atë mënyrë Turqia lirohej përsëri nga presionet e jashtëme edhe i mbetëshin duart e
lira për të shtruar pashallarët e pabindur. Duke parë se edhe prej Anglisë s'po delte
gjëkafshë, Ali Tepelena mendoi se Rusia, sadoqë antare e Aliancës se Shënjtë, nuk do
të qëndronte si "shenjtore" kundrejt Turqisë. Prandaj me anën e një të besuari,
Kostandin Dukës, iu bëri Rusëvet një propozim që rrëfen haptas qëllimet e Ali Pashës.
Ky tregohej i gatishëm t'a ndihmonte Rusinë me 30.000 ushtarë në rastin e një lufte
kundër Turqisë, dhe të mbetej gjithmonë aliat i asaj, nëqoftëse ajo do t'a njihte si princ
të pavarur mbi një shtet që, duke përfshirë Shkodrën nga veriu, të shtrihej gjer në
Vardar, nga lindja, dhe në gjirin e Korinthit, nga juga. Rusët iu përgjigjën se nuk
kishin asnjë qëllim lufte kundër Turqisë.

Përveç vepërimevet me armë dhe politikës së jashtëme, Ali Pasha u muar edhe me
organizimin e brendshëm të pashallëkut të tij. Në Janinë ngriti Divanin e tij, në
shembull të një qeverie orientale, me një kryetar dhe disa këshilltarë që merrëshin me
punët e administratës. Mbante rreth vehtes një numër ndihmësash dhe
bashkëpunëtorësh besnikë, civila e ushtarakë, që kryenin shërbimet e ndryshme. Në
radhët e nëpunësvet, kishte shtatë a tetë sekretarë që dinin gjuhët e huaja. Po edhe
"drejtësia" me "gjyqet" e saj nuk mungonte, dhe bëhej sipas sheriatit me kadilerët në
krye, për Myslimanët, ose pas kanonevet kishtare për të Krishterët. Shumë herë Ali
Pasha i dëgjonte dhe i ndante gjyqet vetë. Vendimet nuk shkonin më për diktim në
Stamboll, si më parë, por shikohëshin në Janinë. Malësorët rregullohëshin si
gjithmonë pas së drejtës zakonore. Në çdo qendër krahine të pashallëkut kishte
një myteselim t'emëruar nga Janina dhe një këshill që zgjidhej nga parësia e qytetit.
Një kujdes të veçantë iu vuri Ali Pasha t'ardhuravet të cilat, përveç taksavet,
shtohëshin prej gjobavet, dhuratavet, e me çifliqet që iu rrëmbeu bejlerëve të tjerë. Ai
vetë kishte bërë të tijat lart nga 900 fshatra-çifliqe. Në një principatë që përfshinte tërë
Shqipërinë e jugës, Epirin, Thesalinë dhe Greqinë perëndimore gjer në Moré, me një
bregdet që shtrihej prej Durrësit gjer në Korinth, e ku të gjitha skelat përveç Pargës
ishin nën kontrollin e tij, merret me mend se çfar t'ardhurash mund të kishte Ali
Pasha. Ai dërgonte në Stamboll një pjesë të vogël të këtyre, e sidomos ryshfete në
rrethin e Sulltanit, shpenxonte një pjesë tjetër për ushtërinë dhe administratën, mbante
agjentë jo vetëm nëpër qendrat e Ballkanit, po edhe n'Evropë e në Lindjen e Afërme,
dhe kënaqte pasionin e thellë të tij për të grumbulluar thesarë, për të cilët thuhej se
ishin përrallëzorë. Por këta s'i hynë në punë kur i erdhi fundi, sepse ishte aq kurnac sa
që nuk dijti t'i përdorte për t'organizuar një fuqi ushtarake moderne, si Mehmet-Aliu i
Egjyptit, i cili i vajti Sulltanit gjer tek portat e Stambollit. Ushtëria e Ali Pashës kishte
nja 15.000 veta në kohë paqeje, përgjithësisht Shqiptarë, përveç disa trupave Grekësh
dhe ca specialistëve të huaj për armët e ndryshme, sidomos artiljerë Napolitanë. Në
kohë lufte, Ali Tepelena mund të ngrinte fuqi dy-tri herë më tepër, sipas rastevet, duke
arritur gjer më 50.000 ushtarë. Forcën e kësaj ushtërie e përbënin Shqiptarët,
përgjithësisht Toskë, por kishte edhe grupe Gegësh: Dibranë, Mirditas, Shkodranë.
Aliu mbante edhe një flotë të vogël lufte me detarë Himariotë, Ulqinakë dhe Grekë.
Megjithëse pat hapur në Janinë një shkollë ushtarake dhe qe munduar t'organizonte
një ushtëri të rregullt me anën e disa aventurierëve evropianë që kishin hyrë në
shërbim të tij, Aliu nuk mundi të krijonte një forcë moderne, qoftë sepse ishte tepër
kurnac, qoftë sepse sundimi i tij ishte personal dhe tiranik.

Me qetësinë që vuri, me sigurimin e rrugëvet, të cilat edhe i ndreqi, Ali Pasha i dha
shtytje tregëtisë bujqësisë dhe zejtarisë së vendit. Mbasi m'e keqja e të gjitha tiranivet
duket se është anarkia, me zhdukjen e kësaj dhe me vendosjen e një farë rregulli, jeta
ekonomike e vendit mori një përmirësim të dukshëm. Ali Pasha i dha shtytje edhe
arësimit, duke hapur shkolla greqishte për të Krishterët dhe turqishte për Myslimanët.
Disa shërbime higjienike, si për shembull shënimi kundër lisë - çpikur atëhere prej
Jenner-it - ishin më të përparuara në pashallëkun e Janinës se sa në viset e tjera të
Perandorisë Otomane. Disa të huaj kanë menduar se Ali Pasha desh të fuste
qytetërimin evropian në Shqipëri, dhe se gjatë sundimit të tij Janina u bë një nga
qendrat ekonomike dhe kulturore më të rëndësishme të Ballkanit. Veshja kombëtare e
Shqiptarëvet - veshja m'e mrekulluarshme e botës sipas Byron-it - u përhap gjer në
Moré dhe u bë modë për tërë aristokracinë e Ballkanit. Grekët e kanë marrë prej
Shqiptarëve duke e shëmtuar si një karikaturë, që të bën të qeshish ashtu si e
mbajnë evzonët sot. Dhe bota që s'e di, kujton se fustanella është veshje kombëtare e
Grekëvet.

Pra, me gjithë krimet e neveritshme dhe sundimin tiranik të tij, Ali Pashë Tepelena u
shikua si një nga figurat e mëdha të kohës dhe bëri të dëgjohej emri i Shqipërisë
n'Evropë. Priti n'oborrin e tij poetë, shkrimtarë, turistë nga vendet e ndryshme
t'Evropës, sikurse Lord Byron-in që ia kushtoi Shqipërisë dhe Shqiptarëvet këngën e
dytë të poemit kryevepër Childe Harold. Aliu dinte të priste shumë mirë dhe kishte
një mënyrë të foluri aq t'ëmbël sa që çuditej njeriu sesi mund të fshihëshin gjithë ato
krime e të paudha prapa asaj mjekrre të bardhë patriarku. Ndonëse fare i pa-shkollë,
bisedat e tija ishin fort interesante dhe çfaqte mendime që iu bënin përshtypje të
huajvet. Shikohej n'atë kohë si një sundimtar i fuqishëm, aq sa shtetet e Perëndimit
pyesnin ambasadorët e tyre në Stamboll se cili ishte m'i fortë, Sulltani apo Ali Pashë
Tepelena.

Me gjithë namin e urryer që mori si përndjekës i të Krishterëvet - sepse ata që kanë


shkruar për të ishin zakonisht të krishterë - Ali Pasha u tregua i paanshëm ndërmjet
fevet dhe kishte në shërbim të vet Myslimanë e të Krishterë. Ai shtypte këdo që nuk i
shtrohej sundimit të tij - siç qe rasti i Suliotëvet dhe i Himariotëvet - e ndoshta krimet
më të tmerrshme i bëri mbi Myslimanët, mbasi këta ishin më të pabindur e më të
vështirë për t'u nënshtruar. Në sarajin e Janinës ai ishte i rrethuar pothuajse me
Orthodoks, të cilët kryenin për të shërbimet e sekretarëvet, të përkëthenjësvet, të
këshilltarëvet e të diplomatëvet. Kishte n'ushtëri, përveç xhelatit të neveritshëm
Thanas Vaja, i cili s'ia linte dalë Isuf Harapit, edhe oficerë si Aleks Nuçon, Mantho
Ekonomin e të tjerë Orthodoks. Edhe këshilltarët më të mirë i kishte prej këtyre, si
Stavro Çapallanon, profesor Psalidhën, e kështu me radhë. Së shoqes më të dashuruar,
Vasiliqisë, e cila kishte mbetur e krishtere, i kish ngrehur një altar të bukur në sarajin
e vet, siç dëshmon konsulli i Francës, Pouqueville-i.

Ali Tepelena kishte ditur t'i sillte punët me Stambollin, duke bërë sikur bindej kur
Porta e Lartë ishte në gjendje të merrte masa, dhe duke i hedhur në shportë urdhërat e
saja kur ajo ishte në pozita të dobëta. Shumë herë qielli kishte qënë vrënjtur keq
ndërmjet atij dhe Stambollit, por ai pat mundur t'i davariste retë duke gjetur
justifikime për vepërimet e tija, të cilat ishin gjoja n'interes të Perandorisë, dhe
sidomos duke zbutur me ryshfete njerëzit më të fuqishëm të rrethit të Sulltanit. Këtij i
drejtohej gjithmonë me mënyra fort të njerëzishme duke i shprehur me fjalë
besnikërinë më të plotë. Por këto larje e lyrje nuk mund të shkonin përherë. Sidomos
që Sulltan Mahmudi II, pasardhësi i Selimit III, i kishte caktuar vehtes si program
nënshtrimin e pashallëkevet gjysëm-të-pavarura, zhdukjen e jeniçerëvet dhe
reformimin e shtetit turk me anën e një administrate të përqendruar. Qysh më 1812,
Ali Tepelena u gjet në një pozitë të vështirë kundrejt Portës së Lartë, e cila e shkarkoi
nga detyra e mytesarrifit të Tërhallës (titulli zyrtar që mbante Aliu), duke i lënë vetëm
atë të dervenxhi-pashajt. Njëkohësisht Stambolli e qortoi për vrasjen e Kardhiqotëvet
myslimanë dhe e urdhëroi që të largohej nga Janina e të qëndronte për ca kohë në
Tepelenë. Aliu u bind sa për sy e faqe dhe u tërhoq në Tepelenë, por duke e mbajtur
gjithmonë në dorë sundimin e Janinës. Mirëpo n'atë kohë ndodhi disfata e Napoleonit
në Rusi që e përmbysi përsëri ballancën e fuqivet n'Evropë. Ali Tepelena u kthye
menjëherë në Janinë dhe iu drejtua Anglezëvet, të cilët tani kishin më shumë nevojë
për të. Këta i dërguan armë e municione dhe ndërhynë për të përmirësuar pozitat e tija
pranë Portës së Lartë.

Por më 1820, duket se kupa ishte mbushur plot, ose Sulltan Mahmudi e ndjeu vehten
më të fortë për t'i rënë kokës "Asllanit të Janinës". Në këtë drejtim, qarqet e Portës së
Lartë shtyhëshin vazhdimisht edhe prej armiqve t'Aliut, të cilët qenë mbledhur në
Stamboll pasi patën humbur çifliqe e pozita që gëzonin më parë në krahinat shqiptare
e greke të pashallëkut të Janinës. M'i zoti nga këta ishte Ismail Pasho Bej Janina, të
cilin Aliu, si shumë të tjerë, e kishte xhveshur nga çifliqet dhe ndjekur gjithkah për t'a
zhdukur. Burrë i paraqitshëm dhe gojtar i mirë, Ismail Pasho Beu kishte mundur të
hynte thellë në lidhjet miqësore, jo vetëm me rrethin e Sulltanit, sidomos me
këshilltarin më të besuar të tij, Halet Efendinë, po edhe me vetë Mahmudin II. Dhe i
shtynte vazhdimisht kundër Ali Tepelenës, të cilin e përshkruante me ngjyrat më të
zeza duke theksuar sidomos qëllimin e tij për t'u bërë i pavarur nga Turqia. Ali Pasha
dërgoi njerëz në Stamboll për të vrarë Ismail Pasho Beun, dhe ata i ranë afër pallatit të
Sulltanit por nuk e vranë dot. Kjo ngjarje i pezmatoi më tepër akoma marrëdhëniet e
këqia t'Aliut me Portën e Lartë. Nga ana tjetër i shtynte urat me mënyrat e tija
dhelparake edhe Fanari grek, i cili punonte për Eteristët që po pregatitnin kryengritjen
greke. Këta përpiqëshin të shkaktonin sa më shumë trazira në Perandorinë Otomane
dhe t'i hidhnin fuqitë turke kundër Ali Tepelenës, me qëllim që të përfitonin vetë.
Gjithë këto intriga e urrejtje e bindën Mahmudin II se i duhej dhënë fund
"mbretërimit" t'Ali Pashës. Me një dekret që nxori në fillim të vitit 1820, Sulltani e
shkarkoi atë, si edhe të bijtë, nga ofiqet zyrtare dhe kërkoi që brenda dyzet ditëve ai të
paraqitej në Stamboll për të dhënë llogari.

Ali Tepelena bëri ç'ishte e mundur për t'a larguar shkrepëtimën e rrufesë që po e
kërcënonte mbi kokë. Dërgoi në Stamboll ryshfete e letra me lutje e përulej si edhe
komisione të përbëra prej Myslimanësh e të Krishterësh, prej Shqiptarësh e Grekësh,
për t'iu lutur Portës së Lartë që t'a këthente vendimin sepse kishin qënë shumë të
kënaqur nga qeverimi i Ali Pashës. Por këto përpjekje nuk ecën këtë radhë. Aliu
kërkoi përkrahjen e Anglezëvet, por as këta nuk kishin më nevojë për të. Kërkoi
ndërhyrjen e Austrisë, e më vonë të Rusisë, të cilat s'deshën t'interesohëshin për
Pashanë e Janinës. Kartën më të madhe u përpoq t'a loste me organizatën kryengritëse
greke, Filiqi Eteria (Shoqëria e Miqvet), e cila ishte duke pregatitur kryengritjen e
përgjithshme për të fituar pavarësinë e Greqisë. Duke kujtuar se kjo organizatë do të
kishte edhe përkrahjen e Rusisë, Aliu u mundua t'a shtynte për t'a hedhur në vepërim,
që kështu fuqitë turke të kapërthehëshin me kryengritjen greke. Mirëpo këtë llogari e
bënin edhe Eteristët, të cilët donin që Aliu të hynte i pari në valle duke u mbërthyer
me ushtërinë otomane për t'i lehtësuar punën kryegritjes greke. Prandaj nëpërmjet të
Fanarit e shtynin Portën e Lartë kundër Ali Tepelenës. Eteristëtpërfituan nga nevoja
që kishte Aliu për të gjetur aliatë edhe e bënë si një strehë të tyren pashallëkun e
Janinës. Deri brenda në pallatin e Aliut nëpunësit dhe sekretarët, Grekë ose Shqiptarë
orthodoks, ishin antarë të "Shoqërisë së Miqvet" dhe punonin për llogari të
kryengritjes greke. Këta donin t'a përdornin Ali Pashën për të hedhur kundër tij forcat
turke, por jo që ky të delte sundimtar i pavarur siç kishte qëllimin, sepse atëhere
krahinat e Greqisë perëndimore gjer në Korinth do t'i mbetëshin principatës s'Aliut.
Ky e kuptoi qëllimin e Grekëvet dhe desh të përdorte të njëjtat mënyra duke e vënë në
dijeni Portën e Lartë mbi planet e Eteristëvet dhe duke u treguar i gatshëm për të
shtypur lëvizjen e tyre. Porta e Lartë nuk desh të tundej nga vendimi që kishte marrë,
dhe Aliut s'i mbetej tjetër veçse të pregatitej për qëndresë.

Mbasi Ali Pashë Tepelena nuk u paraqit në Stamboll, Sulltan Mahmudi II e shpalli
fermanli, në fillim të Majit 1820. Njëkohësisht e mallkoi edhe Sheh-yl-Islami duke e
quajtur Kara Ali (Aliu i Zi). Kumanda e përgjithshme e fuqivet ushtarake që do të
nisëshin kundër tij iu ngarkua Ismail Pasho Beut, i cili, me një ferman të Sulltanit,
ishte emëruar edhe qeveritar i Janinës. Por as Ali Pasha nuk ndëjti me duar kryq: qysh
se u keqësuan marrëdhëniet me Portën e Lartë, filloi nga masat ushtarake për
t'organizuar mprojtien, vuri garnizone nëpër fortesat dhe në pikat strategjike të
pashallëkut. Më 23 Maj, thirri në Janinë një mbledhje të madhe Shqiptarësh e Grekësh
me pjesëmarrjen e klerit mysliman e orthodoks, përpara së cilës tregoi të mirat që i
kishte sjellë vendit, sidomos barasinë ndërmjet fevet dhe përkrahjen që iu kishte
dhënë të Krishterëvet, premtoi më mirë për në t'ardhmen dhe kërkoi që të
bashkohëshin të gjithë rreth tij kundër ushtërivet të Sulltanit. Aty çfaqi edhe
mendimin se, po të delte fitimtar, do t'a bënte shtet të pavarur Shqipërinë (e cila do të
përfshinte Epir e Thesali) kurse krahinat e Greqisë gjer në Moré mund
t'organizohëshin në një shtet autonom nën mprojtjen e tij. Provoi edhe një herë të
hidhte në kryengritje Eteristët grekë duke iu premtuar ndihmën edhe autonominë. Por
Grekët nuk luajtën dhe pritën që rrebeshi turk të përplasej mbi Ali Tepelenën. Ky e
kuptoi se rrethanat po e shtrëngonin të bënte lodrën e Grekëvet dhe se prej luftës së tij
do të përfitonte kryengritja greke, por s'kishte tjetër udhë. Për të gjetur aliatë ose për t'i
shkaktuar Turqisë trazime n'anë të tjera, dërgoi njerëz nëpër qendrat e Ballkanit, si në
Mal-të-Zi, Serbi e Vllahi, duke iu bërë thirrje atyre popujve që të ngrihëshin kundër
Stambollit. Thuhet se agjentët e tij arritën gjer në Persi, për t'a shtytur këtë në luftë
kundër Turqisë.

Duke e pandehur fuqinë e Ali Pashë Tepelenës më të fortë se ç'ishte, Porta e Lartë
dërgoi ushtëri të shumëta edhe e sulmoi pashallëkun e tij në disa drejtime të ndryshme
nga toka dhe nga deti. Pothuajse të gjithë pashallarët e Ballkanit muarën urdhër për t'u
nisur kundër Janinës. Kumandën e mprojtjes së Toskërisë prej Gjirokastrës deri
n'Ohri, Ali Pasha ia ngarkoi të birit, Myftarit, i cili n'atë kohë ishte mytesarrif i
Beratit. Kurse djalit të dytë, Veliut, i dha kumandën e mprojtjes së Thesalisë e
Lepantit, nga juga. Por trupat më të zgjedhura t'Ali Pashës, rreth 15.000 vetash, ishin
nën kumandën e Ymer Bej Vrionit dhe kishin zënë vend përkëtej lumit
Aspropotamos, në jugë-lindje të Janinës, për të mprojtur qendrën e pashallëkut.

Nga veriu, ushtëritë turke, nën kumandën e valiut të Rumelisë, u nisën prej Manastirit
në drejtim të Beratit. Zbriti gjer n'Elbasan edhe Mustafa Pashë Bushati, por mandej u
detyrua të këthehej pas sepse Malazeztë sulmuan Shkodrën. I biri i Ali Tepelenës,
Myftari, u tremb dhe u tërhoq në Gjirokastër pa bërë qëndresë të fortë. Nga juga,
porsa fuqitë turke, nën kumandën e Dramalli Pashës dhe Pehlivan Pashës, iu afruan
Thesalisë, çetat e martallozëvet grekë u larguan, i biri i dytë i Ali Tepelenës, Veliu, u
tërhoq i trembur në Prevezë bashkë me kapedanët e tjerë shqiptarë. Turqit pushtuan pa
mundim Thesalinë, Etolinë dhe Lepantin. Kur arritën në qendër të pashallëkut, Ymer
Bej Vrioni, një aventurier që kishte qënë më parë në shërbim të Mehmet-Aliut
t'Egjyptit, trathëtoi dhe u bashkua me ushtëritë e Sulltanit. Flota turke bllokoi
Prevezën dhe krejt bregdetin e Epirit. Në gjirin e Prevezës ishte mbledhur edhe flota e
Ali Pashës, e cila u dorëzua me trathëtinë e detarëvet grekë. Veli Pasha, i biri i Aliut,
bëri një farë qëndrese në Prevezë, por më në fund si ai ashtu edhe i vëllaj, Myftari, që
ndodhej në Gjirokastër, u dorëzuan bashkë me familjet e tyre. Turqit i mbajtën mirë
në fillim dhe i shtynin t'i shkruanin Plakut që të dorëzohej edhe ai.

I mbetur vetëm, "luani" plak u mbyll në kështjellën e Janinës me disa mijëra ushtarë
dhe me artilerinë, ku i qëndroi rrethimit një vit e gjysëm me një trimëri të
jashtëzakonshme për moshën e tij afro tetëdhjetë-vjeçare. Bëri të gjitha përpjekjet,
provoi të gjitha dhelpëritë, pa e humbur gjykimin as gjakftohtësinë, edhe i prapsi
shumë herë sulmet e Turqvet duke i kumanduar ai vetë ushtarët e tij. Sipas zakonit,
Ali Pasha u përpoq të shfrytëzonte mosmarrëveshjet ndërmjet kumandarëvet turq, të
shtynte popujt e Ballkanit ne kryengritje dhe t'organizonte një qëndresë të
përgjithshme në Shqipëri me anën e disa kapedanëve të tij, si Zylyftar Poda, Ago
Vasiari, Tahir Abazi etj. Mundi të merrej vesh deri me Suliotët që po i ndihnin
ushtërisë turke dhe t'i bënte për vehte duke iu premtuar këthimin e lirë në Sul. Këta,
pasi shkëmbyen pengje me Ali pashën, u shkëputën prej Turqvet edhe u hodhën në
luftë kundër tyre duke iu prerë udhët rreth Janinës. Grekët, nga ana tjetër, po
gatitëshin për kryengritje. Porta e Lartë, e shqetësuar prej lëvizjevet në Ballkan, desh
t'i jepte fund sa më shpejt qëndresës s'Ali Tepelenës. Prandaj, në Shkurt 1821, ia hoqi
kumandën e fuqivet rrethonjëse Ismail Pasho Beut, i cili u provua i pazoti, dhe dërgoi
në vend të tij ish-kryevezirin, Hurshid Pashën.

Por ngjarja m'e madhe ishte plasja e kryengritjes greke, në Mars 1821, e cila i hapte
Ali Tepelenës mundësi të tjera vepërimi. Grekët e bënë forra porsa e panë se ushtëritë
turke ishin mbërthyer keq kundër "luanit" të Janinës. Ali Pasha u vu t'a loste përsëri
kartën e bashkëpunimit me Grekët duke e përdorur në të dy anët: mënjanë iu
propozonte Grekëvet t'a njihnin "mbret" të tyren dhe ai merrte përsipër t'i çlironte nga
zgjedha turke brenda pak kohe, n'anën tjetër i propozonte Stambollit se ai ishte në
gjendje t'a shtypte kryengritjen greke në disa muaj nëqoftëse do të falej prej Sulltanit
dhe do t'i njihëshin përsëri titujt e mëparshëm. Si çdo kryengritje, ashtu edhe ajo e
Grekëvet ndeshi në shumë vështirësi. Prandaj tek një pjesë e kryengritësvet u krijua
mendimi se mundësitë e lirimit do t'ishin më të mëdha sikur Greqia t'a bashkonte
luftën e saj me atë të Shqiptarëvet dhe t'Ali Pashës, nën kumandën e këtij. Ata që
mendonin kështu, parashihnin krijimin e një shteti greko-shqiptar (ose një federatë dy
shtetesh) me Ali Pashën për mbret, por me kusht që ky të këthehej i krishter
orthodoks. Natyrisht, ky mendim nuk gjeti pështetje në shumicën e Grekëvet as tek
përkrahësit e tyre, Rusët. N'anën tjetër, edhe Stambolli nuk i mori parasysh
propozimet e Ali Pashës dhe as që desh të tundej nga vendimet e tija.

Rrethimi i gjatë ua rrëzoi moralin luftëtarëve t'Aliut, të cilët nuk po shihnin më asnjë
rrugë daljeje. Turqit jo vetëm që nuk hoqën gjë prej ushtërivet rrethonjëse të Janinës
për t'i dërguar kundër Grekëvet, por prunë edhe fuqi të tjera. Mustafa Pashë Bushati,
pasi e siguroi Shkodrën kundrejt Malazezvet, zbriti në Janinë me forcat e tija. Ushtarët
Gegë t'Ali Pashës nuk deshën të luftonin kundër njerëzve të tyre që ndodhëshin me
Bushatlinë. Disa lëvizje çetash, në Toskëri, u shtypën shpejt. Në Shtator 1821, Sulltan
Mahmudi iu preu kokat djemvet dhe nipërvet t'Ali Tepelenës. Këtë e braktisën më në
fund edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Mbeti vetëm me disa dhjetra njerëz
besnikë. Por mbasi kështjellën e Janinës e kishte minuar me varrela baruti, e kërcënoi
ushtërinë turke se do t'a hidhte n'erë nëqoftëse ajo bënte një çap për t'i hyrë brenda:

"Kush s'e njeh Ali Barunë?


- Lufton me Sulltan Mahmunë!".

Hurshid Pasha, qoftë për të mos rrezikuar ushtërinë, qoftë për të kapur thesarët e
Aliut, hyri në bisedime me të duke e gënjyer se dekreti i faljes ishte nënshkruar prej
Sulltanit. Pastaj me shumë dredhi mundi t'a nxirte bashkë me të shoqen dhe disa
besnikë në manastirin e Shën-Pandelejmonit, mbi një ishull të liqenit të Janinës, ku
desh t'a kapte. Por Aliu u vra duke luftuar me armë në dorë, më 24 Jenar 1822. Koka
e tij u dërgua në Stamboll, ku ndëjti disa ditë e varur përpara pallatit të Sulltanit.

Rënia e Ali Pashë Tepelenës pati pasoja historike të rendësishme jo vetëm në Shqipëri
po edhe në tërë Ballkanin, ku filluan menjëherë lëvizjet kombëtare për shkëputjen nga
Turqia. Të parët që përfituan, qenë Grekët. Kurse Shqiptarët nuk kishin akoma një ide
kombëtare të lidhur mirë prandaj kryengritjet e tyre qenë të zgidhura, krahinore, dhe u
shkrinë njëra pas tjetrës si zakonisht. Megjithatë, iu desh Turqisë të luftonte shumë
kohë për t'a qetësuar gjendjen dhe për t'i futur deri diku Shqiptarët nën autoritetin e
saj. Siç e pamë, Ali Pashën nuk e përkrahu populli. Ndërsa Kara Mahmud Bushati, që
kishte qeverisur me urti, i pat bërë ballë Turqisë me përkrahjen e madhe që gjeti në
Shkodër dhe në malësitë e veriut, Ali Pashë Tepelena, që sundoi si tiran, në çastin e
rrezikut u braktis edhe nga rrethi i tij m'i afërm. Por shembja e tij shkaktoi një
tronditje aq të madhe, sa që u ndie edhe shumë vjet më pas. Figura e tij i humbi vijat e
shëmtuara të tiranit dhe u këndua me këngë popullore, jo vetëm në Shqipëri po edhe
në Greqi. Përse të çuditemi? Popujt në përgjithësi adhurojnë më shumë forcën se sa
moralin.

Pasi e mori kështjellën e Janinës, Hurshid Pasha me ushtërinë turke iu fut Shqipërisë
së jugës ku punoi tmerre të mëdha. Vendi ra përsëri n'anarkinë e mëparshme.
Kundërshtarët e vjetër t'Ali Tepelenës ngritën krye për të rifituar çifliqet dhe pozitat!
Po edhe ish-përkrahësit e tij nuk donin t'i humbisnin pronat dhe pozitat e fituara. Të
gjithë këta ishin kundër politikës përqëndronjëse të Turqisë që desh të zbatonte
Sulltan Mahmudi. Më në fund, disa bejlerë dhe kapedanë shqiptarë që kishin shkuar
për të shtypur kryengritjen greke, u kthyen kur e panë se kumanda e lartë turke nuk
ishte në gjendje t'i paguante. E tërë Toskëria ndodhej në një trazirë të
papërshkruarshme. Të zënë me kryengritjen greke dhe me planin e çfarosjes së
jeniçerëvet, Turqit përkohësisht s'patën se ç'të bënin. Po kur lufta ruso-turke mori
fund, më 1829, dhe Sulltani njohu pavarësinë e Greqisë, Porta e Lartë vendosi t'a
shtronte Shqipërinë prej një çipi në tjetrin dhe ta fuste nën bindjen e plotë të
Stambollit. Kumandën e vepërimevet ushtarake ia ngarkoi krye-vezirit, Mehmet
Reshid Pasha, i cili e nisi fushatën me anën e një komploti. Ftoi në Manastir krerët e
pabindur të Toskërisë gjoja për t'iu dhënë shpërblimet e prapambetura ose grada e
nishane të reja për shërbimet që kishin bërë. Disa prej të ftuarvet, si Zylyftar Poda,
Tafil Buzi, Çelo Picari, e të tjerë, dyshuan dhe nuk u paraqitën. Kurse atyreve që
vajtën, gjithësejt pesëqind veta, Mehmet Reshid Pasha iu bëri një pritje madhështore,
dhe pastaj gjatë një parakalimi ushtarak që kishte organizuar gjoja për nder të tyre, i
vrau të gjithë, më 26 Gusht 1830. Po ashtu veproi edhe në Janinë i biri i Mehmet
Reshid Pashës, Emin Pasha, i cili kishte thirrur në të njëjtën datë disa krerë të
Çamërisë.

Pas çfarosjes së bejlerëvet dhe kapedanëvet të Shqipërisë së jugës, i vinte radha


pashallëkut të Shkodrës që kishte mbetur akoma i paluajtur. Mustafa Pashë Bushati,
duke u nisur kundër Ali Tepelenës, nuk e mendoi ndoshta se i njëjti grusht do të binte
një ditë edhe mbi kokën e tij. Më 1822, me urdhër të Portës së Lartë ai shkoi në
ndihmë t'ushtërivet turke për të shtypur kryengritjen greke dhe mori pjesë në rrethimin
e Mesallonjës. Por u largua kur atje ra murtaja, më 1823, e kur njëkohësisht i erdhi
lajmi se krerët e Dibrës po lëviznin kundër pashallëkut të tij. U kthye në Shkodër me
tërë ushtërinë e vet, pa marrë lejë nga Porta e Lartë, dhe nuk dëgjoi të nisej më për në
Greqi. Kjo mosbindje e zemëroi Stambollin, po edhe Bushatliu filloi t'a kuptonte se
nuk ishte e largët dita kur Porta e Lartë do t'i qëronte llogaritë me të, porsa të
mbaronte punë me kryengritjen greke. Programi i reformavet që kishte ndërmarrë
Sulltan Mahmudi çonte vetvetiu n'atë ndeshje. Prandaj Mustafa Bushati u vu t'i
pregatitej furtunës, duke forcuar ushtërinë dhe duke shtrirë lidhjet miqësore brenda e
jashtë Shqipërisë. Hyri në marrëveshje me disa kapedanë Toskë, si Zylyftar Poda,
kërkoi të bënte me vehte feudalët e Bosnjës, të pakënaqur edhe ata nga reformat e
Sulltan Mahmudit, dhe desh të siguronte sidomos përkrahjen e Rusisë nëpërmjet të
princit serb Milosh Obrenoviç. Kur nisi lufta ruso-turke më 1828, Mustafa Bushati
mori urdhër nga Porta e Lartë që të shkonte në front. Rusët deshën t'a mënjanonin,
prandaj duket se i premtuan, me anën e princit të Serbisë, që do t'a njihnin sundimtar
të pavarur në Shqipëri, nëqoftëse nuk merrte pjesë në luftë. Por Bushatliu nuk kishte
aq besim në Rusët as në vetvehte sa ta këpuste fare me Turqinë. Prandaj desh të
mbante në të dy anët: pa i thënë "jo" Stambollit, gjeti shkaqe të ndryshme për t'i
ngadalësuar pregatitjet dhe për t'u nisur me shumë vonesë, në mënyrë që të mos binte
në përpjekje me Rusët. Kjo politikë e pavendosur nuk i vlejti. Ushtëritë turke u thyen
gjatë verës së vitit 1829. Kur u nënshkrua paqja, Rusët nuk e zunë me gojë fare
çështjen e Bushatliut. Atëhere ky, i zemëruar, desh t'i kundërshtonte gjoja kushtet e
rënda të paqes që pranoi Turqia, edhe u vu t'ecte drejt Stambollit për të bërë presion
mbi Rusët. Qarqet otomane kundërshtare të reformavet e gjenin te këto shkakun e
mundjes së Turqisë, prandaj menduan të pështetëshin në forcat e Bushatliut për t'a
detyruar Sulltan Mahmudin që të hiqte dorë njëherë e mirë nga programi i tij. Por
Mustafa Pasha s'arriti dot në Stamboll se ndeshi në kundërshtimin e ushtërisë ruse e
cila e detyroi të ndalej e mandej të këthehej pas. Kështu s'i mbetej tjetër veçse të
mblidhej në Shkodër me ushtërinë e tij.

Porsa i çliroi duart prej luftës me Rusët dhe prej kryengritjes greke, Mahmudi II desh
të nënshtronte Shqipërinë duke e filluar nga Toskëria, siç e pamë më sipër. Me
kërdinë që bëri në Manastir, Mehmet Reshid Pasha kujtoi se i dha fund qëndresës së
Toskëvet. Mbetej tani për t'u nënshtruar pashallëku m'i vjetër i Shqipërisë, ai i
Bushatlijvet. Pra, në Jenar të vitit 1831, Porta e Lartë e shkarkoi Mustafa Pashën nga
sanxhaqet e Gegërisë edhe e la vetëm si mytesarrif të Shkodrës, por me kusht që të
pranonte organizimin e ri administrativ, nëpunës turq dhe vendosjen e një garnizoni
t'ushtërisë së re turke në kështjellën e Rozafatit. Mustafa Pasha thirri në një mbledhje
përkrahësit e tij dhe ua paraqiti për bisedim urdhëresën e Portës së Lartë. Mbledhja
nuk i pranoi vendimet e Stambollit, të cilat i gjeti gjoja në kundërshtim edhe me
interesat e Perandorisë.

Sulltan Mahmudi II e shpalli atëhere fermanli Mustafa Pashë Bushatin dhe ia ngarkoi
Mehmet Reshid Pashës kumandën e shpeditës kundër tij. Bushatliu kishte nisur me
kohë nga pregatitjet ushtarake dhe nga fushata kundër reformavet, të cilat i shikonte si
"armike të fesë". Iu kish çuar fjalë bejlerëve të Toskërisë dhe feudalëve të Bosnjës që
t'i qëndronin bashkarisht rrezikut. Por duke e pështetur luftën e tij në mprojtjen e
interesavet feudale dhe në fanatizmin mysliman, Mustafa Pasha s'gjeti dot një bazë
politike fort të gjerë. Vetëm feudalët e Bosnjës, që kishin të njëjtat interesa, i
premtuan se do t'i vinin në ndihmë.

Në Mars 1831, ndërsa Bushatliu po dërgonte fuqi për të siguruar mprojtjen e Dibrës,
t'Elbasanit dhe t'Ohrit, Mehmet Reshid Pasha arriti nga Janina me forcat e Epirit, i
zuri më parë këto qendra edhe e vendosi shtabin në Manastir me pjesën më të madhe
t'ushtërisë turke, duke menduar të bënte aty një përqëndrim sa më të gjerë trupash
përpara se të nisej kundër Shkodrës. Por Bushatliu nuk ndëjti t'a priste armikun tek
dera e shtëpisë. Në krye të një fuqie prej 30.000 vetash, u lëshua në drejtim të
Manastirit për t'i goditur ushtëritë turke në qendrën e tyre. Arriti gjer në Përlep ku
shpresonte të bashkohej me ndihmën që do t'i sillnin feudalët e Bosnjës, sipas fjalës.
Por fuqitë e Bosnjës nuk erdhën dot me kohë. Kjo pritje e kotë e dëmtoi fort
Bushatlinë dhe i dha dorë Mehmet Reshid Pashës, i cili e sulmoi nja dy herë ushtërinë
shqiptare duke e prapsur. Por beteja vendimtare u zhvillua në Qafën e Babunës, më 21
Prill 1831, ku me gjithë trimërinë e madhe që treguan Mirditasit të cilëve iu printe
Lleshi i Zi, Mustafa Pasha u thye keqas duke lënë përmbi dy mijë të vrarë, të tërë
artilerinë dhe gjysmën e ushtërisë robe në duart e Turqvet. Ky shkatërrim ndoshta i
erdhi sepse, në çastin më të nxehtë të betejës, u trathëtua nga Avzi Pasha i Shkupit, i
cili u hodh n'anën e Turqvet. Bushatliu u largua nga fusha e luftës, duke e lënë në fatin
e saj pjesën tjetër t'ushtërisë, dhe rendi në Kosovë për t'organizuar një fuqi të re, por
nuk mundi. Atëhere u kthye në Shkodër ku mblodhi me të shpejtë disa forca ushtarake
dhe desh të delte përsëri në Kosovë për t'u bashkuar me fuqitë e Bosnjës, por këto e
kishin marrë punën ngadalë dhe më në fund ua preu rrugën Mehmet Reshid Pasha. Në
të njëjtën kohë, fuqi të tjera turke zbritën n'Ulqin, përveç atyre që po vinin nga anë e
Elbasanit. Kështu Kara Mustafa Pashës, si quhej tani, s'i mbetej tjetër veçse të mbyllej
në kështjellën e Rozafatit me besnikët e tij, dhe ashtu bëri. Qëndroi gjashtë muaj i
rrethuar, gjersa me ndërhyrjen e Kancellarit t'Austrisë, princit Metternich, i cili n'atë
kohë ishte arbitër i Evropës, Sulltan Mahmudi II e fali, por me kusht që të dorëzohej,
të shkonte në Stamboll dhe t'i premtonte besnikërinë. Pasi u dorëzua, në Nëntor 1831,
dhe u përcuall në Stamboll, Mustafa Pasha u dërgua për të qeverisur krahina të
ndryshme t'Anadollit deri sa vdiq.

Me dorëzimin e Kara Mustafa Bushatit u shtyp edhe pashallëku i fundmi i Shqipërisë,


ai i Shkodrës. Pas një lufte që zgjati dymbëdhjetë vjet për nënshtrimin e pashallarëvet
dhe bejlerëvet. shqiptarë, Turqit kujtuan se u gatit vendi për zbatimin e reformavet
të Tanzimatit.

Siç shihet, në një kohë kur kombësitë e ndryshme të Ballkanit, Serbia, Mali-i-Zi,
Greqia, Vllahia e Moldavia, po shkëputëshin prej Perandorisë Otomane duke fituar
autonomimë ose pavarësinë, në Shqipëri u vërtetua i njëjti fenomen historik me
pashallëket e Shkodrës dhe të Janinës. Por Shqiptarët nuk e çuan dot gjer në fund
lëvizjen e shkëputjes nga Turqia. Shkaqet mund të jenë të shumëta. E para, sepse
Shqiptarët nuk kishin lidhje të forta kombëtare, ishin tepër të ndarë në fe e në krahina,
nuk kishin gjuhë të shkruar as traditë politike dhe s'mbahej mend që Shqipëria të
kishte qënë ndonjëherë shtet më vehte mbasi edhe kohët e Skënderbeut ishin harruar.
Prandaj as Bushatlijtë as Ali Tepelena, megjithëse e dinin që ishin Shqiptarë, nuk e
patën idenë kombëtare ashtu si e shprehu më vonë brezi i Rilindjes dhe si e kuptojmë
ne sot. Ata u përpoqën të krijonin për vehte dhe për pasardhësit e tyre nga një
principatë, autonome ose të pavarur, siç bëri Mehmet-Aliu n'Egjyptë. Por nuk e
menduan kombin shqiptar si një tërësi ethnike, me një kulturë dhe jetesë kombëtare të
veçantë prej të tjerëvet, prandaj politika e tyre nuk u pështet në kombësinë. Dhe prova
është që seicili nga ata desh të përmblidhte në shtetin e vet jo Shqipërinë si njësi
ethnike, por Gegërinë dhe Malin-e-Zi, ose edhe Bosnjën, Bushatlijtë, Toskërinë dhe
gjysmën e Greqisë, Ali Pashë Tepelena. Asnjërit prej tyre nuk i shkoi nëpër mend të
hapte një shkollë shqipe. Kjo do të thotë që shtetet që deshën të krijonin ata, kishin një
karakter gjeografik dhe jo kombëtar. E dyta, dy pashallëket i patën qendrat në skaje të
Shqipërisë, në Shkodër e Janinë, duke u pështetur njëri mbë Gegët dhe tjetri mbë
Toskët, të cilët i ndante jo vetëm gjeografia po edhe një farë mendësie e ndryshme;
dhe Porta e Lartë bëri çmos për t'i shtytur kundër njëri-tjetrit. Ndryshe do të kishte
qënë sikur qendra e një pashallëku të madh t'ishte ndodhur në Shqipërinë e Mesme.
Një nga faktorët që e ndihmuan më shumë Skënderbén, ishte edhe pozita gjeografike e
principatës së tij me qendrën në Krujë. E treta, Shqiptarët nuk kishin një përkrahje të
jashtëme siç patën popujt sllavë e orthodoks nga Rusia, siç tërhoqi helenizmi
simpathinë e romantikëvet dhe ndihmën e shtetevet t'Evropës.

Për këto arësye, ndërmjet Ali Tepelenës dhe Bushatlijvet, që nuk frymëzoheshin nga
ndjenja kombëtare, u krijua i njëjti rivalitet, i njëjti shpirt armiqësie, sikurse ndërmjet
princave shqiptarë të Kohës së Mesme, përpara Skënderbeut.

Por këta dy pashallëqe nuk kanë qenë pa asnjë vleftë historike për Shqiptarët dhe
dëshmojnë dy të vërteta. Si vleftë historike, ata qenë të parët, në kohët moderne, që i
vunë një fre anarkisë shqiptare, qoftë edhe me grushtin e përgjaktë, që dhanë provën e
autonomisë edhe e qitën përsëri në dukje kombin shqiptar n'Evropë. Dy të vërtetat
janë: e para, gjer në fillim të shekullit XIX, me gjithë mërgimet e vazhduarshme,
Shqiptarët ishin akoma elementi ushtarak m'i fortë nga çdo kombësi tjetër në Ballkan.
Siç thamë, ndërsa popujt fqinjë kishin qënë rajà, Shqiptarët patën qëndruar me armë
në dorë. Por kjo epërsi filloi të bjerë gjatë shekullit XIX, sepse fqinjët u organizuan, u
armatosën, krijuan shtete me administratë të përqendruar e me ushtëri të rregullta,
kurse Shqiptarët mbetën siç ishin, të ndarë e të shpërndarë, pa lidhje të forta
kombëtare e pa gjuhë të shkruar (sepse shkronjat e tyre ua kishte ngrënë bualli, siç
thoshin Turqit për t'u tallur). E vërteta e dytë është që Shqiptarët myslimanë, me gjithë
fanatizmin dhe propagandën e klerit, dinin t'a dallonin vehten nga Turqit dhe të
luftonin kundër këtyre për të mos pranuar administratën e Stambollit dhe nëpunës
turq.

Sulltan Mahmudi II, mbasi çfarosi jeniçerët më 1826 edhe u vu t'organizonte ushtërinë
e re sipas mënyrës evropiane, desh të vinte në Perandorinë Turke edhe një
administratë moderne të përqendruar. Prandaj i shtypi sundimtarët e Shqipërisë,
zhduku sa mundi nga bejlerët dhe kapedanët e pabindur, për t'a shtruar vendin nën
administratën e re, me nëpunës turq. Ky program reformash dhe ligjesh të reja u
quajtTanzimat. Mirëpo kapedanët shqiptarë që kishin mbetur, edhe pas rënies s'Ali
Tepelenës e së Mustafa Bushatit, edhe pas kërdisë së Manastirit ku Mehmet Reshid
Pasha griu si bagëti 500 krerë të Toskërisë, e vazhduan kryengritjen për të mos
pranuar reformat e Tanzimatit, domethënë për të mos iu shtruar administratës së re
turke. Në zbatimin e parë të reformavet, oficerët dhe nëpunësit që u vendosën nëpër
qytete e krahina ishin turq shumica, nuk dinin shqip dhe nuk i njihnin zakonet e
vendit. Duke përfituar nga rrëmuja dhe duke mos pasur ndërgjegjen e detyrës, filluan
të merrnin ryshfete për çdo punë dhe të vepronin si t'iu tekej. Kjo sjellje e tyre e
pezmatoi gjendjen më tepër akoma. Në jugë, Zylyftar Poda ngriti në këmbë rrethet e
Kolonjës, të Leskovikut, të Përmetit, dhe u përpoq me ushtërinë turke të Mahmud
Pashës tek Kullat e Qarrit. Pas luftimesh t'ashpra, u shtrëngua të tërhiqej me shokët e
tij dhe të mbyllej në fortesën e Melesinit, ku qëndroi i rrethuar disa muaj. Pastaj u
dorëzua kur Turqit i premtuan se do t'a linin të lirë, dhe shkoi me familjen e vet në
Korfus. Në të njëjtën kohë u bë në Çamëri një kryengritje për të përzënë nëpunësit
turq. Kurse më 1833, disa nga krerët e Toskërisë, si Abdyl Koka, Zejnel Gjoleka,
Tafil Buzi, e të tjerë, të cilët qenë arratisur në Greqi për t'iu shpëtuar ndjekjevet, u
kthyen dhe u hodhën në kryengritje. Por pas disa muajsh u shtrënguan t'arratisëshin
prapë në Greqi. Një tjetër lëvizje më e madhe akoma plasi në rrethet e Gjirokastrës, në
Gusht 1833, ku nja katër a pesë mijë malësorë rrëmbyen armët për të dëbuar nëpunësit
turq dhe për të sulmuar Janinën. Emin Pasha i goditi me forca të shumëta edhe i theu.
Një vit më vonë, në Mars 1834, Abdyl Koka, Zejnel Gjoleka, Tafil Buzi e të tjerë u
kthyen sërish nga Greqia, zbritën në Dukat të Vlorës dhe pushtuan Tepelenën. Pastaj
ngritën më këmbë një forcë më të madhe edhe hynë në Berat. Me qënë se lëvizja u
përhap shumë dhe rrezikonte Janinën, Turqit këtë radhë, përveç forcës, përdorën edhe
intrigat për t'a shpërndarë, duke bërë për vehte Çelo Picarin dhe ca nga kapedanët e
tjerë. Më 1837, një tjetër kryengritje plasi në rrethet e Beratit e të Myzeqesë, e
udhëhequr nga Ali Bej Frakulla, po edhe kjo u shtyp si të tjerat prej fuqivet turke që i
kumandonte vetë valiu i Janinës.

Në Shqipërinë e Veriut, dhe sidomos në Shkodër, lëvizja për mospranimin e


qeveritarëvet turq dhe t'administratës së re vazhdoi e rreptë disa vjet me radhë pas
dorëzimit të Mustafa Pashë Bushatit. Qeveritarët turq që erdhën pas tij, Ali-Namik
Pasha dhe mandej Hafiz Pasha, me sjelljet tiranike dhe masat e forta që deshën të
merrnin, çuan peshë përsëri tarafet e qytetit dhe popullin e krahinavet. Përleshje e
luftime të përgjakshme ngjajtën në Shkodër brenda, dhe një betejë e vërtetë kundër
ushtërisë turke u zhvillua në rrethin e Anamalit, në Gusht 1835. I mundur, Hafiz
Pasha u detyrua të mbyllej në kështjellën e Rozafatit. Rolin kryesor në lëvizjet e
Shkodrës e lozi Hamzë Kazazi, i cili u zgjodh kumandar i forcavet t'armatosura të
qytetit. Mbasi Hafiz Pasha mbeti i rrethuar në kështjellë, një tjetër fuqi turke prej
njëzet batalionësh arriti gjer në Lesh, nën kumandën e Mahmud Pashës. Por
kryengritësit kishin zënë bregun e Drinit edhe i ranë ushtërisë turke. Kështu që
Mahmud Pashës iu desh të hynte në bisedime me Hamzë Kazazin për ta zgidhur
punën me të mirë. Ai premtoi se do të ndërmjetësonte në Stamboll për të larguar nga
Shkodra Hafiz Pashën dhe për mos-zbatimin e reformavet n'atë sanxhak. Dhe me të
vërtetë, reformat në Shkodër u pezulluan për disa vjet. Lëvizja vazhdoi në Kosovë, ku
plasën trubullime sidomos në Pejë, Prishtinë e Prizrend. Në Shtator 1839, populli i
Prizrendit e përzuri me forcë qeveritarin turk, Ismet Pashën. Kumanda turke e
Rumelisë, për të shtypur kryengritësit e Kosovës, desh të përdorte Mirditasit si
merçenarë, por këta nuk pranuan. Zbatimi i reformavet u pezullua për disa kohë edhe
në Kosovë.

Këto ngjarje vërtetojnë se e tërë Shqipëria i kundërshtoi me armë reformat e


Tanzimatit, për të mos hyrë nën administratën e përqendruar turke. Shqiptarët donin të
qeverisëshin vetë duke gëzuar liritë e mëparshme.

Më 1836, bashkë me reformat, Porta e Lartë bëri një tjetër ndarje administrative të
Shqipërisë, me qëllim përçarjeje dhe për ta futur më mirë nën autoritetin e saj.
Toskëria, përveç Korçës dhe Poradecit, formoi me disa krahina greke një ejalet më
vehte - ejaletin e Janinës - kurse pjesët e tjera të Shqipërisë mbetën të lidhura, si më
parë, me ejaletin e Rumelisë, i cili e kishte qendrën në Manastir. Kjo ndarje bëhej jo
vetëm për t'i çarë Shqiptarët më dysh dhe për t'a thelluar sa më shumë hendekun
ndërmjet Gegëve e Toskëve, po edhe për t'i përzjerë me kombësi të tjera greke e
sllave. N'administratën e re,sanxhaqet (prefekturat) qeverisëshin prej mytesarrifëve, si
më parë, por tani kishin edhe nga një kumandar t'ushtërisë së rregullt ose të nizamëvet.
Kazatë (nënprefekturat) kishin në krye nga një kajmekam dhenahijet (komunet) nga
një mydir.

Por administrata e përqendruar turke nuk mundi kurrë të vihej plotësisht në Shqipëri
edhe pas dekretit Hat-i-Sherif të Gjylhanesë, që u shpall prej Sulltan Abdul Mexhidit
më 1839. Malësitë qëndruan pothuajse të pasunduarshme, si më parë. Bejlerët dhe
pashallarët vendas, me çifliqet dhe trimat e tyre, mbetën gjithmonë të fuqishëm dhe
vazhduan t'ushtronin të njëjtin autoritet në popull, mbasi nëpunësit turq nuk kishin
forcë të mjaftë për të qeverisur pa u pështetur tek parësia e vendit. Më vonë filluan të
hynin n'administratën e re edhe nëpunës shqiptarë, veçanërisht nga radhët e bejlerëvet
dhe të pashallarëvet, të cilët kryenin shkollat dhe zinin kolltuqet në shërbim të
Turqisë.

Kryengritja me armë u përsërit prej krahinës në krahinë sa herë që administrata turke


desh të vinte taksa të reja ose të zbatonte ligjin mbi shërbimin ushtarak të detyrshëm.
Dekreti i Gjylhanesë, që përmblidhte e shprehte më me forcë programin e reformavet
nisur prej Mahmudit II, përveç riorganizimit t'administratës dhe t'ushtërisë, parashihte
edhe atë të financavet, të drejtësisë dhe t'arësimit. Në financat, u krijuan zyrat me
nëpunësit e posaçëm për mbledhjen e drejtpërdrejtë të taksavet, dhe jo me anën e
spahinjvet si më parë. Drejtësia dhe gjyqet nuk do të varëshin më prej kadilerëvet, si
deri atëhere, por do t'organizohëshin prej shtetit duke marrë pjesërisht për bazë
legjislacionin e ri frëng me kodet e tij penal e civil. N'arësim, do të çelëshin edhe
shkolla shtetërorë përveç atyre që mbahëshin nga institutet fetare. Këto ndryshime që
shoqërohëshin me një tufë nëpunësash të huaj, prunë një pështjellim tek Shqiptarët, të
cilët nuk shihnin asgjë për të mirën e tyre: taksat ishin më të rënda se më parë;
nëpunës e gjykatës, që s'dinin gjuhën as zakonet e vendit, s'kryenin asnjë shërbim pa
ryshfete e bakshishe; n'ushtëri duhej vajtur me detyrim, dhe jo me pagesë si përpara.

Dekreti i Gjylhanesë filloi të zbatohej në Shqipëri aty nga viti 1843 dhe shkaktoi
trubullime të forta, më parë në Kosovë. Kryengritja plasi në Prishtinë e në Shkup dhe
u përhap në Tetovë, Prizrend e Gjakovë. Përpjekje të përgjakshme ngjajtën n'ato
rrethe gjatë vitit 1844 dhe kumandës turke të Manastirit iu desh të dërgonte forca të
mëdha për të shtruar vendin. Por më 1845, Gjakova dhe malësia e saj u ngritën përsëri
për të kundërshtuar taksat dhe dorëzimin e armëvet. Fort e rreptë u tregua edhe
kryengritja e Dibrës, që ngjau në të njëjtën kohë. Malësorët Dibranë i prenë udhën një
ushtërie turke të kumanduar nga Hajredin Pasha edhe e shtrënguan të zmbrapsej.

Në Shqipërinë e jugës u krijua përsëri një gjendje fort e trazuar. Më 1847,


kryekumandari i ushtërivet turke të Rumelisë, Mehmet Reshid Pasha, i cili luftonte
ç'prej afro njëzet vjet kundër Shqiptarëvet dhe pat marrë emrin "shqiptaro-vrasës", iu
fut Toskërisë me një fuqi prej 15.000 vetash për të shtypur kryengritjen që zjente në
tërë vendin, prej Gjirokastre deri në Berat. Për zbatimin e reformavet, qeveria turke
pat kërkuar ndihmën e feudalëve vendas, si Hysen Pashë Vrioni e të tjerë, dhe pat
dërguar fuqi prej Janine, por këto forca qenë thyer. Në Kurvelesh dolli Zejnel Gjoleka,
i cili çoi në këmbë tërë Labërinë edhe u bë shpirti i kryengritjes. Mallakastra zgjodhi
si udhëheqës Rrapo Hekalin për t'iu qëndruar forcavet qeveritare që kumandohëshin
prej bejlerëvet Vrionas. Lëvizja mori përpjesëtime të mëdha duke u ndier deri në
Shqipërinë e Mesme e në Gegëri. Zejnel Gjoleka i theu disa herë forcat turke:

"Gjoleka, Tafili: di, - Bobo! ç'janë të këqi:


Luftojnë me një vali, - Me një goxha-Rumeli!".

Kurse në qarkun e Beratit, Isuf Bej Vrioni me fuqitë qeveritare iu fut Mallakastrës.
Pas një përpjekjeje të rreptë që ngjau në fshatin Greshicë, Mallakastriotët, nën
kumandën e Rrapo Hekalit, e zunë të gjallë Isuf Bej Vrionin edhe e pushkatuan në
Qafën e Sinjës:
"Mallakastr' e Sipërmé,
Ç'qenke për në bataré:
Vrave goxha Isuf Bé ! . . .".

Kryekumandari turk, Mehmet Reshid Pasha, pas shumë përpjekjesh, e shtroi më në


fund lëvizjen, por gjendja në Shqipëri mbeti e paqetë.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, të tjera forca u krijuan rreth Shqipërisë, prej
kombësish autonome ose të pavarura të Ballkanit: Serbia e Mali-i-Zi, nga veriu,
Greqia, nga juga. Këta shtete nisën të bënin parashikime e pregatitje për t'u zgjeruar
mbi tokat shqiptare dhe në dëm të Perandorisë Otomane. Serbia mendonte pushtimin e
Kosovës dhe daljen n'Adriatik nëpërmjet të Shkodrës dhe Ulqinit. Por Shkodrën me
malësinë e lakmonte edhe Mali-i-Zi. Kurse Greqia, në jugë, bënte çmos për të
greqizuar Shqiptarët orthodoks dhe për t'a shtrirë sundimin n'Epir. Prandaj mbante
lidhje n'atë kohë edhe me kapedanët myslimanë, si Gjoleka e të tjerë, të cilët i shtynte
kundër Turqisë. Prapa këtyre lëvizjeve qëndronin fuqitë e mëdha, duke bërë, si
gjithmonë, lodrën e tyre. Zhvillimi i industrisë së madhe e nevoja e shkëmbimevet i
shtynte fuqitë industriore, si Anglinë dhe Francën, të siguronin tregjet e Lindjes
s'Afërme dhe t'a mbanin larg Rusinë prej asaj zone. Prandaj sa herë që kjo pat bërë
përpjekje për të dalë në Dardanelet, fuqitë perëndimore, Francë e Angli, qenë gjetur
në ndihmë të Turqisë, sikurse e provoi Lufta e Krimesë (1853-1855). Kështu Çështja
e Lindjes, problem i vjetër për diplomacinë evropiane, hynte në një fazë të re. Mbasi
Rusia kërkonte copëtimin e Turqisë, dhe fuqitë perëndimore mbajtjen e saj më këmbë,
ishte e natyrshme që simpathitë e kombësive të krishtere të Ballkanit t'anonin nga
Rusia, e cila iu premtonte përkrahje e zgjerime kundrejt Perandorisë Otomane. Luftën
ruso-turke deshën t'a shfrytëzonin menjëherë Greqia dhe Mali-i-Zi duke u rreshtuar
n'anën e Rusisë, por fuqitë perëndimore i ndaluan nga një konflikt i hapët me Turqinë.
Greqia atëhere zuri të vepronte me çeta në Thesali e n'Epir duke u përpjekur të hidhte
në kryengritje edhe Shqiptarët orthodoks për të ringjallur "perandorinë greke". Prandaj
kishte vënë si kumandarë çetash disa nga Arbëreshët e Greqisë ose nga Suliotët që
patën qënë shquar në luftën e pavarësisë greke dhe që flisnin gjuhën shqipe. Por këto
orvatje nuk i ecën, jo vetëm nga qëndresa e Shqiptarëvet myslimanë, po edhe nga
ndërhyrja e Anglisë dhe e Francës, të cilat nuk lejonin n'ato rrethana kësi vepërimesh
që i jepnin dorë Rusisë.

Lufta e Krimesë e tërhoqi vëmendjen e fuqivet perëndimore edhe mbi popujt e


Ballkanit, të cilët deri atëhere i qenë lënë pothuajse ndikimit të Rusisë. Franca filloi të
dëftente një farë interesi për Malin-e-Zi dhe për Shqiptarët katolikë të Mirditës.
Austria e detyroi Portën e Lartë që të pranonte hapjen e një seminari jezuitësh në
Shkodër. Traktati i Parisit që i jepte fund luftës së Krimesë, më 1856, e vinte
autonominë e principatës serbe nën garantinë e Evropës.

Po edhe Turqia e kuptoi se do t'i delnin mjaft ngatërresa me kombësitë e Ballkanit,


prandaj nisi të mbante një qëndrim më të butë kundrejt disa krerëve shqiptarë, të cilët
mund t'i përdorte më mirë nëpër luftat e saja sipas mënyrës së vjetër. I fali kapedanët e
kryengritjeve të Toskërisë, si Gjolekën me shokë, afroi Bib Dodën e Mirditës, të cilin
e dërgoi edhe në front kundër Rusisë në kohën e luftës së Krimesë. Por kjo ishte një
taktikë për t'i përdorur forcat e Shqiptarëvet si merçenarë, mbasi paraqitej e vështirë
puna e rekrutimit të tyre n'ushtërinë e rregullt. Sepse, nga ana tjetër, Turqia e pengoi
me të gjitha mjetet bashkimin e kombësisë shqiptare.

Për të mos i lënë Rusisë shkak ndërhyrjeje në Ballkan gjoja si mprojtëse e të drejtavet
të popujvet orthodoks, Franca me Anglinë e detyruan Sulltan Abdul Mexhidin të
shpallte një dekret të ri, i quajtur Hat-i Humajun, i cili përcaktonte barasinë
administrative dhe juridike të të gjithë nënshtetasvet, lirinë e fesë dhe t'arësimit në
gjuhën e tyre për të gjithë popujt e Perandorisë. Ky dekret u shpall më 15 Shkurt
1856, disa javë përpara se të nënshkruhej në Paris traktati i paqes me Rusinë. Hat-i
Humajun zhvillonte, duke iu sjellë disa shtesa, parimet dhe vendimet e shpallura me
dekretin Hat-i Sherif të Gjylhanesë, më 1839.

Por këto shprehje në kartë nuk i ndaluan popujt e Ballkanit të lëviznin, as Rusinë të
ndërhynte. Pas vitit 1860, Serbia dhe Greqia po zhvillonin një veprimtari të gjallë për
të shtrirë kufijtë e tyre. N'atë kohë lindi te Grekët Ideja e Madhe (Megali Idhea) e
"panhelenizmit", që donte të thoshte bashkimin e të gjitha viseve të Ballkanit dhe
t'Azisë së Vogël ku shtrihej Kisha orthodokse greke, në një perandori helenike. Përveç
Greqisë dhe Serbisë, nuk mbetej pas as Mali-i-Zi që përpiqej të zgjerohej mbi toka
shqiptare. Kryengritje të njëpasnjëshme plasën në Herzegovinë e në Bullgari. Por ajo
që desh e përzjeu përsëri gjendjen në Ballkan ishte kryengritja e Kretës, më 1866, e
cila qëllonte në një kohë kur Austria u mund prej Prusisë, dhe Rusia gjeti volinë të
ndërhynte sërish pranë Portës së Lartë për autonominë e popujve të krishterë.

Gjithë këto lëkundje kishin, natyrisht, rrjedhimet e tyre edhe në Shqipëri, e cila n'atë
kohë nisi të përfshihej në rrymën e propagandave të ndryshme. Nga ana tjetër,
"reformat" turke synonin vetëm vendosjen e një administrate të përqendruar që s'iu
pëlqente fare Shqiptarëvet. Prandaj lëvizjet filluan prapë, veçanërisht në Shqipërinë e
veriut. Në vitet 1861-1862, trubullime ngjajtën në Dibër, në qytetet e Kosovës, dhe
një lëvizje intelektualësh katolikë në Shkodër, që deshën të krijonin një bazë
autonomie në Mirditë. Këta menduan të shfrytëzonin interesin që kish treguar
Napoleoni III i Francës për Mirditën, dhe përkrahjen që Austria duhej t'iu jepte
Katolikëvet shqiptarë në bazë të një marrëveshjeje të vjetër me Turqinë mbi të drejtën
e mprojtjes fetare, Kultusprotektorat, njohur Austrisë prej Portës së Lartë për
komunitetet katolike të Perandorisë Otomane. Por përkrahja e Austrisë nuk shkonte
përtej çeljes së ndonjë seminari e të ndonjë shkolle fillore, dhe ndërtimit të ndonjë
kishe, në Shkodër.

N'atë kohë Mali-i-Zi filloi luftën me çeta kundër Turqisë për të shkëputur toka - të
cilat ishin toka shqiptare. Prandaj qeveria turke nuk pati vështirësi t'i shtynte
Shqiptarët për të mprojtur vendin e tyre. Këta formuan në qarkun e Shkodrës çetën e
famshme t'Oso Kukës për t'iu prerë hovin Malazezvet, të cilët, pasi patën thyer keq
disa trupa vullnetarësh shqiptarë në luftën e Kernicës, në Shkurt 1862, iu futën vendit
me zjarr e me plaçkitje. Oso Kuka i prapsi çetat malazeze, por më në fund u rrethua
prej fuqish të mëdha në Vraninë. Mbasi luftoi trimërisht gjersa iu vranë të tërë shokët,
u mbyll në kullë të barutit edhe i dha zjarr, duke hedhur n'erë vehten e tij dhe ata
Malazez që kishin guxuar t'afrohëshin. Heroizmin e Oso Kukës e ka kënduar bukur At
Gjergj Fishta, në kryeveprën e tij Lahuta e Malcis.

Pas vitit 1865 u bë një tjetër ndryshim n'organizimin administrativ të krahinavet


otomane, dhe tokat e Shqipërisë u ndanë në katër vilajete: n'atë të Shkodrës, të
Janinës, të Manastirit, dhe i katërti, që u formua pak më vonë, ai i Kosovës me qendër
Shkupin. Kjo ndarje kishte një qëllim politik: për të penguar bashkimin kombëtar të
Shqiptarëvet. Seicili prej vilajetevet lidhej drejtpërdrejt me qeverinë e Stambollit.
Kështu tokat dhe popullsia e Shqipërisë u copëtuan në katër pjesë, pa një qendër të
përbashkët rreth së cilës të mblidhej jeta kombëtare. Në Vilajetet e Kosovës,
Manastirit, dhe Janinës ndonëse shumica e banorëvet ishin Shqiptarë, u përfshinë edhe
popullsi sllave e greke, pikërisht për t'i vënë Shqiptarët në grindje e kundërshtim të
përhershëm me fqinjët e tyre. Këto dhe të tjera mënyra përçarëse, Porta e Lartë i
përdori gjer në fund kundrejt Shqiptarëvet.

Megjithatë, lëvizjet krahinore vazhduan të pareshtura, në Shqipëri, si një sëmundje


kronike, për të mos pranuar administratën e përqendruar, ose për të mos paguar taksa
e për të mos vajtur ushtarë:

"Nizam e xhelepe s'ka: - Është vëndi fukara"

Por këto lloje kryengritjesh, ose ato që bëhëshin nga bejlerë e kapedanë për të ruajtur
pozitat e tyre, nuk mund të quhen lëvizje kombëtare në kuptimin e sotshëm të fjalës,
mbasi nuk kishin as qëllim kombëtar, as kurrfarë lidhjeje, plani e programi të
përbashkët.

Megjithëse shënjat e mugëllta të Rilindjes kishin nisur të dukëshin qysh në gjysmën e


parë të shekullit XIX, nuk mund të flitet për lëvizje kombëtare përpara Lidhjes së
Prizrendit, më 1878.
1
Hopf, "Chroniques," f. 320

XIX
Kohët e reja, që prunë n'Evropën e Perëndimit revolucione shoqërore e politike, hapën
edhe një horizont të ri ndjenjash e mendimesh me një tjetër kuptim të lirisë. Më parë,
liritë politike dhe fetare patën filluar të zhvillohëshin n'Angli, por tronditja m'e madhe
erdhi nga shkrimtarët frëngj të periudhës së Dritavet dhe me Revolucionin Frëng të
shekullit XVIII, vazhdoi me luftat napoloniane dhe iu hapi rrugën lëvizjevet të mëdha
shoqërore të shekullit XIX. Lëvizjet shoqërore të Perëndimit u kthyen në një rrymë
lëvizjesh kombëtare tek popujt e Evropës lindore e jugë-lindore që nuk gëzonin
pavarësinë politike. Letërsitë edhe artet e këtyre popujve, n'atë kohë, janë plot ndjenja
dhe thema kombëtare. Përpjekjet me armë kishin filluar. Në Ballkan, Greqia kish
fituar pavarësinë më 1829, Serbia kishte dalë si principatë autonome më 1815, dhe
pak me vonë Vllahia e Moldavia. Mali-i-Zi mbahej edhe ai si principatë e lirë. Po
ashtu u njoh më pastaj edhe Bullgaria. Vetëm Shqipëria nuk po zgjuhej nga gjumi i
shekujvet për të lëvizur si komb. E ndarë në Myslimanë e të Krishterë (në "Turq" e
"Kaurë"), në Toskë, e në Gegë, e zhytur në grindje krahinore, ajo paraqiste një fytyrë
të mjeruar. Nuk po ndihej akoma ajo frymë e nxehtë kombëtare që i fshin si cerga
merimange botëkuptimet e ngushta, paragjykimet e ndryshkura, edhe i bashkon "në
një dëshirë e një qëllim" bijtë e së njëjtës racë, të së njëjtës gjuhë, të të njëjtit gjak.
Dallandyshet prendverore të Rilindjes e kishin nisur fluturimin, por ishin të rralla. E
kishin nisur sidomos tek Arbëreshët e Italisë, me De Radën, Kamardën e të tjerë,
mbasi ata ishin më afër lëvizjevet evropiane dhe jetonin n'enthusiazmin e bashkimit
italian. Por në Shqipëri brenda, përveç luftavet krahinore kundër autoritetit turk,
s'ndihej tjetër pipëtim.

Përçarja e Shqiptarëvet në fe e në krahina ishte tani m'e shëmtuar se sa në kohën e


Skënderbeut, sidomos kur e krahasojmë me idetë e reja, me zgjimin kombëtar të
popujve të tjerë. E para, dallimi ndërmjet veriut dhe jugës, ndërmjet Gegëve dhe
Toskëve, nuk ishte (ose fare i lehtë) në Kohën e Mesme. Këtë na e provojnë Kuvendi i
Leshit, krijimi i ushtërisë shqiptare, lidhjet e shtetit të Skënderbeut, martesat e
dëndura ndërmjet familjeve princore të veriut e të jugës, dhe gjuha e folur asokohe me
sa mund të kuptojmë nga libri i Gjon Buzukut, ku gjejmë plot trajta të toskërishtes
ndonëse auktori ishte Gegë. Kur i biri i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, erdhi prej Italie
në Shqipëri, më 1481, përkrahjen më të fortë e gjeti në Labëri dhe në Himarë.
Gjatë sundimit otoman, rrugët u këputën, marrëdheniet u rralluan ndërmjet veriut dhe
jugës, politika e Turqisë punoi vazhdimisht për t'i përçarë Shqiptarët në Gegë e në
Toskë, në Myslimanë e të Krishterë. Këtij qëllimi të Turqisë i ka shërbyer deri diku
edhe gjeografia e vendit. Shqipëria e jugës, duke qënë m'e hapët, m'e lidhur me rrugët
ndërkombëtare, e ka ndier më fort ndikimin e kulturave të jashtëme, qarkullimin e
mendimeve të reja, dhe përbërja shoqërore e saj pat kapërcyer në trajta më të
zhvilluara. Kurse malësitë e veriut, të mbyllura, patën mbetur në botëkuptimin e fisit,
afro si në kohën e Ilirëvet. Ndarjet krahinore nuk ishin vetëm ndërmjet veriut dhe
jugës, po edhe prej një qarku në tjetrin: Shkodran e Dibran, Vlonjat e Korçar etj.

Por shumë më të rrezikshme nga përçarjet krahinore ishin ndarjet fetare. Disa
udhëtarë të huaj patën shkruar se tek Shqiptarët ndjenja e kombësisë qëndronte përmbi
ndarjet fetare. Këtë lëvdatë, disa atdhetarë prej hoshafi e kanë marrë si një të vërtetë
mathematike dhe e gogësijnë nëpër darka e fjalime zyrtare. E dimë që, Shqiptarët s'i
kanë dhënë fort rëndësi fesë në kuptimin moral ose mistik të fjalës, por feja për t'a
donte të thoshte "kulturë" dhe sidomos "politikë". Besnikët e një feje e ndjenin vehten
të lidhur me atë fuqi politike të jashtëme ku e kishte qendrën feja. Kështu, disa anonin
nga helenizmi, ose edhe nga sllavizmi, disa nga Lindja islamike, dhe një pakicë nga
Perëndimi. Pastaj, në mungesë të një kulture më të përgjithshme, edukata fetare lot një
rol shumë të madh në brumosjen e ndjenjavet dhe të mendësisë së njeriut. Dhe mbasi
Shqiptarët nuk kishin një kulturë kombëtare të lartë ku të pajtohëshin të gjitha fetë, të
gjitha besimet, siç ngjan tek popujt e qytetëruar të botës; dhe mbasi fetë në Shqipëri
ishin më shumë propagandë politike se sa fe, të gjorët Shqiptarë jepnin përshtypjen
sikur ishin tre kombe në të njëjtin popull. Do t'a dëshironim me tërë shpirtin atë që
kanë shkruar disa udhëtarë të huaj dhe që e gogësijnë atdhetarët e hoshafit. Por mbasi
historia ka për qëllim t'i edukojë popujt dhe jo t'iu bëjë lajka, jemi të shtrënguar t'a
themi të vërtetën lakuriq, ashtu siç e shprehu Vaso Pasha:

"Shqyptarë, me vllazën jini tu' u vram,


Në njiqind kolle jini shpërdam!
Ca thon' kemi fe, ca thon' kemi din,
Njani thot' jam Turk, tjetri Latin;
Do quhen Grek, e Shqeh disa tjerë,
Por jeni vllazën t'gjith, more t'mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kan' hutue,
Për me ju ndamun, me ju vorfnue!"
Gjatë njëmijë vjetëve që patën jetuar në Perandorinë Bizantine, stërgjyshët e
Shqiptarëvet, mbasi u shkelën prej Sllavëvet, u sllavizuan shumica, por ata që mbetën
nuk u greqizuan. Kjo i detyrohet gjallërisë së racës së tyre, por mund të ketë pasur
edhe arësye të tjera: e para, Perandoria Bizantine, e cila e quante vehten perandori
romake, megjithëqë u pështet në gjuhën dhe kulturën helenike, ku u pështet edhe
Kisha Greke, nuk mundi t'i helenizonte popujt e racave të ndryshme. Ndoshta sepse në
Ballkan i dolën përpara Sllavët, me të cilët pat qënë shpeshëherë në luftë, dhe, në
Lindje, Arabët, pastaj Turqit. E dyta, me zbritjen e Sllavëvet në Ballkan, popullsia
greke u rrallua aq tepër sa që s'mund t'ushtronte asnjë ndikim kulturor mbi kombësitë
e tjera. E treta, nëpër viset jo-greke, kulturën helenike e merrte vetëm aristokracia,
qeveritarët e lartë të Perandorisë dhe kleri i Kishës Bizantine, por s'kishte as shkolla as
tjetër mjet për t'a përhapur nëpër masat e gjera të popujvet. Kështu kombi shqiptar
mundi të mbahej si një grup ethnik më vehte me gjuhën, zakonet dhe kulturën e tij
popullore, sadoqë shqipja dhe kultura popullore shqiptare patën pësuar deri diku
ndikimin e gjuhëvet dhe të kulturës greko-latine. Por kjo s'duhet të na çuditij aspak,
sepse gati të gjitha gjuhët dhe kulturat e Evropës e kanë pësuar atë ndikim.

Orthodoks apo Katolikë, siç e pamë më sipër, Shqiptarët e ruajtën kombësinë e tyre
gjatë tërë Kohën e Mesme. Në jugë, megjithëse ndiqnin kishat e ritit grek, qëndruan si
një popull krejt i dalluar me gjuhën dhe zakonet e tyre. Edhe kur patën emigruar në
Greqi, shumica në shekullin XIV, dhe patën mbushur krahinat e çpopullsuara të saja
duke zbritur deri n'Atikë, në Moré dhe n'ishujt e Egjeut, si n'Eubé, në Hydra, Specia,
Paros etj., e ruajtën gjuhën shqipe, folklorin, zakonet, dhe iu vunë emra shqip
vendevet të reja ku zunë qendër. Gjer tani vonë, e mbanin vehten si racë më të lartë
nga Grekët të cilët i quanin Shqeh, ashtu si quajnë Shqiptarët e veriut Sllavët. Murgjit
Komneni e Prokli, të cilët, sipas Hopf-it, ishin Shqiptarë, në Historinë e tyre mbi
despotët e Epirit pohojnë se e tërë Etolia, nga mbarimi i shekullit XIV, ishte në duart e
Shqiptarëvet. E dimë se Gjin Bua Shpata dhe Pjetër Losha me Shqiptarët patën luftuar
kundër Grekëvet, kundër sundimtarëvet serbë e bizantinë, dhe i patën mundur. Ndën
ata dy udhëheqës, u krijua Despotati shqiptar i Artës, i cili shtrihej nga juga gjer në
grykën e Korinthit. Janë të njohura mizoritë që despoti serb, Thoma Preljubloviçi, i
mbyllur në Janinë, iu bënte Shqiptarëvet të këtij qyteti duke iu prerë hundë e buzë dhe
duke iu nxjerrë syt, për t'ia dërguar me shporta Gjin Bua Shpatës, i cili e mbante
Janinën të rrethuar. Për këto mizori, Thomaj u mbiemërua "Albanitoktonos"
(domethënë vrasës i Shqiptarëvet). Kur Turqit e shkelën Epirin dhe e pushtuan
Janinën më 1431, e quajtën pjesë të Shqipërisë të tërë krahinën duke i regjistruar në
trajtën shqipe dhe jo greqishte emrat e vendevet, të fshatravet dhe të qytetevet. Kjo
ishte shtrirja e popullsisë shqiptare n'atë kohë, nga ana e jugës.
E kemi parë më sipër se Skënderbeu, në letër-përgjigjen që i dërgonte princit të
Taranto-s, e lidhte historinë shqiptaro-epirote me kohët përpara Krishtit, duke e
mbajtur vehten si pasardhës i Pirros dhe i Aleksandër Mollosit.

Por mbas pushtimit të Shqipërisë prej Turqvet punët ndryshuan. Sulltan Mehmeti II,
qëkurse mori Stambollin, u shpall si mprojtës i Kishës Orthodokse dhe i njohu
Patrikanës jo vetëm të drejtat e vjetra n'anën fetare, po edhe fuqi juridike mbi
Orthodoksit. Me ketë mënyrë desh të përçante krishterimin duke përkrahur Kishën e
Lindjes kundër Kishës së Romës. Pas kësaj kohe, Patrikana, nëpërmjet të fesë,
vazhdoi të mbante ndezur dhe të përhapte kulturën helenike bashkë me ndjenjat
kombëtare greke. U përpoq të greqizonte sidomos ata popuj që nuk kishin një Kishë
kombëtare të tyren, siç qe rasti i Shqiptarëvet. Në marrëveshje me Portën e Lartë, në
shërbim të së cilës ishin vënë Grekët e Fanarit, Patrikana mund të hapte shkolla
greqishte sa të donte për Orthodoksit shqiptarë, sikurse kleri mysliman shkolla
turqishte. Por arësimi shqip ishte rreptësisht i ndaluar. Nga ana tjetër, priftërinjtë
nëpër kishat e Shqiptarëvet ishin përgjithësisht grekë ose grekomanë dhe iu
këshillonin besnikëvet të mësonin dhe të flisnin greqishten nëpër familjet.

Kurse Serbët, nga veriu, kishin Kishën e tyre në gjuhën sllavone, të cilën edhe ata e
mbanin të njëjtë me kombësinë. Pra, Grekët dhe Serbët nuk bënin asnjë dallim
ndërmjet fesë dhe kombësisë. Për ata, t'ishnje Orthodoks donte të thoshte t'ishnje
Grek, tek Grekët, dhe Serb, tek Serbët.

Në këtë mes, Shqiptarët, për të mbajtur kombësinë, ose duhej të kishin pasur, si
Orthodoks, Kishën kombëtare në gjuhën e tyre, siç e kishin Sllavët, ose t'ishin të
gjithë Katolikë me një kler të shëndoshë dhe me një letërsi fetare në gjuhën shqipe.
Ndryshe, në konditat fetaro-kulturore ku ndodhëshin Shqiptarët, edhe po të mos ishin
myslimanizuar, është një pikëpyetje nëse do të kishin mundur t'i shpëtonin greqizimit
dhe sllavizimit. Është një pikëpyetje gjithashtu nëse e tërë Shqipëria e jugës nuk do
t'ishte përfshirë në kryengritjen greke, siç ngjau me një pjesë të Shqiptarëvet
orthodoks. Natyrisht, i njëjti problem turqizimi vihej edhe për Myslimanët, sikur
kombi turk të kishte pasur kufij të përbashkët me Shqipërinë. Por Turqinë, si komb, e
ndante gjeografia, dhe islamizmi, si fe, mbeti fort i përciptë në pjesën më të madhe të
Shqipërisë. Ndonëse shumë nga Myslimanët i shërbyen sa mundën Baba Dovletit dhe
filluan të quhëshin "Turq" fanatizmi ose turkomania u kufizua nëpër qytetet dhe në
popullsinë e disa fushave, si në Shqipërinë e Mesme dhe në Kosovë. Kurse pjesët e
brendëshme të vendit, sidomos malësitë, mbetën pothuajse të paprekura.

Mos pasja e një feje të përbashkët me një letërsi a vatër kulture kombëtare ka qënë
plaga m'e rëndë e kombit shqiptar, ajo që e ka shpërndarë gjatë shekujvet, që e ka bërë
t'a derdhte gjakun për botën dhe e ka rrëgjuar në gjendjen e sotshme.
Në kohët e reja, ndasia fetare ka qënë m'e rrezikshme dhe m'e koklavitur në jugë se sa
në veri. Sepse në veri, Katolikë e Myslimanë ishin të bashkuar kundër Sllavëvet.
Pastaj Katolikët ishin gati të shoqërohëshin me Myslimanët sa herë që këtyre iu
mbushej mendja t'i binin Turkut. Gjatë shekujve të pushtimit otoman malësorët e të dy
fevet kishin qëndruar me armë në dorë, kishin ruajtur kanunin dhe traditat shqiptare,
duke shkuar zakonisht mirë ndërmjet tyre, mbasi jetonin në të njëjtën varfëri dhe
s'kishin se ç't'i lakmonin njëri-tjetrit. Shpeshëherë ishin të lidhur me kumbari midis
tyre dhe vinin për urim nëpër të kremtet e shoqi shoqit. Vetëm në Shkodër brënda
patën ngjarë disa grindje, por jo fort të rëndësishme, të shtytura tërthorazi prej Turqvet
a prej intrigash të tjera, ose më shumë për interesa tregëtare që fshihëshin prapa fevet.
Katolikët, duke pasur armët në dorë, nuk patën qënë ndonjëherë popull i shtypur dhe
kishte raste ku mund të merrnin titullin pashë në Perandorinë Otomane. Kleri katolik,
me Fretërit në krye, pat punuar për të përhapur shkrimin e gjuhës shqipe, arësimin,
dhe për të hedhur në Shkodër bazat e kulturës kombëtare.

Kurse në Shqipërinë e jugës përpiqëshin dy kultura, dy fuqi, dy rryma të kundërta që


kërkonin t'i mbanin Shqiptarët të çarë më dysh: fuqia greke me kulturën helenike dhe
fuqia sundonjëse otomane me kulturën islame. E para vepronte me anën e shkollavet
greke dhe të klerit orthodoks; e dyta, me anën e klasës sundonjëse dhe klerit
mysliman. Por çudia është se të dyja këto fuqi ishin marrë vesh fort mirë midis tyre
dhe ndihmonin njëra-tjetrën (Patrikana dhe Porta e Lartë) për të ndaluar rreptësisht
çdo shkollë e arësim në gjuhën shqipe. Orthodoksit duhej të ndiqnin shkollat greke
dhe Myslimanët shkollat turqishte. Gjuha shqipe ishte e çkishëruar prej klerit
orthodoks grek si e mallkuar nga Zoti. Kurse Turqit ndalonin çdo shkollë shqipe, edhe
pas shpalljes së dekretit Hat-i Humajun të vitit 1856, që iu njihte lirinë dhe barasinë e
arësimit në gjuhët e tyre gjithë popujve të Perandorisë. Në pajtim me programin e
reformavet i cili përfshinte edhe arësimin, Turqia nisi të hapte shkolla shtetërore,
fillore dhe të mesme (ruzhdie), që nuk ndryshonin prej atyre t'institutevet fetare përsa
i përkiste fanatizmit mysliman dhe turkoman. Njëkohësisht u shumuan shkollat
greqishte, që punonin lirisht gjer në Korçë, Berat edh'Elbasan. Porsa Greqia fitoi
pavarësinë si shtet, vuri tërë forcën, në bashkëpunim me Kishën, për të greqizuar
Shqiptarët orthodoks. Disa nga këta e kishin humbur gjuhën që më përpara. Thimi
Mitkua kishte të drejtë kur i shkruante Francesco Crispi-t, më 1879, se Grekët e
Janinës ishin Shqiptarë të greqizuar, dhe se kjo kuptohej fare lehtë nga mënyra sesi e
flisnin greqishten.

Përkrah Shqiptarëvet orthodoks jetonin Shqiptarët myslimanë. Sikurse thamë më


sipër, myslimanizmi kishte mbetur fort i përciptë nëpër krahinat, dhe hoxhët e
katundevet nuk kishin kurrfarë kulture. Zakonisht ishin katundarë si të tjerët, kishin
nxënë përmendsh disa copëza lutjesh arabisht, të cilave s'ua dinin as kuptimin. Nëpër
malësitë, shumë fshatra nuk kishin xhami fare, nuk falëshin kurrë dhe mbanin një
hoxhë të përbashkët, të cilin e thërrisnin vetëm sa për të varrosur të vdekurit. Përveç
myslimanizmit syni, që ishte feja zyrtare, u çfaq edhe bektashizmi, i cili kishte hyrë
me kohë, por u përhap shumë në Shqipërinë e jugës gjatë shekullit XIX. Në një masë
më të kufizuar, u shtri në Shqipërinë e Mesme dhe gjer në Kosovë. Bektashinjtë, nga
ana dogmatike e islamizmit, janë më t'afërt me shiizmin persian. Por kanë një mistikë
të tyren, besojnë në një lloj pantheizmi dhe bëjnë jetë murgjish. Nuk kanë
paragjykime kundrejt të Krishterëvet, as kundër feve të tjera, dhe teqetë e tyre i
mbajnë dyert të hapura për çdo njeri. Kishin qënë shumë të lidhur me jeniçerët.
Prandaj u ftohën prej Turqisë qëkur Sulltan Mahmudi II i çfarosi jeniçerët më 1826.
Të ndarë nga feja zyrtare e shtetit dhe të shikuar me sy të keq prej qeverisë turke,
Bektashinjtë nuk përtuan të merrnin më vonë anën e lëvizjes kombëtare. Teqetë e tyre
u bënë në një kohë çerdhe e nacionalizmit shqiptar.

Siç ishin të një gjaku e të një gjuhe, Myslimanë e Orthodoks, me përjashtim të fesë,
kishin të njëjtat zakone, të njëjtin folklor me të njëjtat këngë e vajtime. Orthodoksit
ishin përgjithësisht më të mësuar dhe më të rregullt në jetesë e n'ekonomi, jo vetëm
sepse ndiqnin shkolla greqishte, por edhe sepse merrëshin me tregëti e zejtari, të cilat
punë e bëjnë njerinë më të gdhëndur dhe më të shoqëruarshëm. Prandaj ishin më
t'afruar midis tyre, përkrahnin njëri-tjetrin dhe përbënin një bashkësi më t'organizuar
rreth kishës. Natyrisht, n'afrimin midis tyre i shtynte edhe instinkti i vetëmprojtjes,
mbasi e shihnin vehten si një pakicë kundrejt Myslimanëvet të cilët i mbanin të
barabartë më Turqit. Kurse Myslimanët ndërmjet tyre ishin të përçarë dhe zihëshin
ose vritëshin për gjëra të kota. Merrëshin përgjithësisht me bujqësi e blegtori ose me
përdorjen e armëvet, prandaj ishin më zhurmë-bërës, dëngëla-mëdhenj, dhe s'kishin
fort rregull në jetesë as n'ekonomi. Por Myslimanë e Orthodoks shqiptarë dallohëshin
prej Turqve dhe prej Grekëve jo vetëm nga gjuha, zakonet dhe kultura popullore, po
edhe nga veçoritë fizike e morale si racë, nga zgjuarësia, guximi, shkathtësia, energjia
në punë ose në luftë, gjithmonë të zotët për nismë (inisiativë) e përgjegjësi.
Fatkeqësisht, bashkë me këto vetija qëndronte edhe individualizmi i tepëruar, ose
kufizimi në krahina, e meta m'e madhe e Shqiptarëvet, e meta fatale që s'i ka lënë
kurrë të bashkohëshin për të formuar një tërësi të lidhur, kombëtare ose shtetërore.

Në Perandorinë Turke, shkallët më të larta i patën arritur Shqiptarët myslimanë. Po


edhe në Greqi, Shqiptarët orthodoks të rrethevet t'Atikës, të Moresë dhe t'ishujve
t'Egjeut, të cilët patën emigruar n'ato vende që në shekullin XIV, kishin një ndryshim
të madh me Grekët, si energji, karakter, ndershmëri, zotësi në punë e në luftë, në
mbajtjen e fjalës dhe përmbushjen e detyrës. Dhe këto nuk jemi ne që i themi, por
historianë dhe vërejtës së huaj, Frengj, Gjermanë, Anglezë, si G.-B. Depping, Alfred
Philippson, A.L. Castellan, dhe deri një Pouqueville që nuk i donte Shqiptarët sepse
urrente Ali Pashë Tepelenën. M'e rëndësishme është se pohimet e mësipërme i gjejmë
edhe tek George Finlay, historiani anglez i Kryengritjes greke. Edhe ky, si të tjerët, i
paraqet Hidriotët në një plan më të lartë nga Grekët, sepse kishin, thotë, "karakterin e
veçantë të racës shqiptare1". Sipas dëshmive të mësipërme dhe t'auktorësh të tjerë,
Shqiptarët e Greqisë, kudo që ishin vendosur, n'Atikë, në Moré (Pelopones) apo
n'ishujt, e kishin ngritur vendin nga rrënimet, kishin lulëzuar tokën dhe zbukuruar
qytetet. Ata kanë qënë elementi m'i gjallë në Kryengritjen greke, në mëkëmbjen
morale dhe ekonomike të Greqisë. Një vërejtje të ngjashme bënte Ch. Didier në Revue
des Deux-Mondes, më 1840, për Shqiptarët e Italisë. Siç shihet, energjitë më të mira të
racës shqiptare kanë qënë shkrirë në shërbim të vendeve të huaja, sidomos të Turqisë
dhe të Greqisë.

Propaganda helenike kishte krijuar legjendën se Orthodoksit shqiptarë ishin të shtypur


prej Myslimanëvet, se Shqipëria ishte një parajsë për Myslimanët dhe një ferr për
Orthodoksit. Kjo legjendë iu kishte hyrë në shpirt dhe trubulluar gjykimin shumë
njerëzve aq sa jehona e saj vazhdon të ndihet akoma. Kësaj muzike i bie edhe sot
propaganda e Athinës, se gjoja Orthodoksit shqiptarë janë të shtypur, kurse në të
vërtetën pjesa m'e madhe e aparatit të partisë komuniste, në Shqipëri, është në duart e
orthodoksvet. Kjo çështje ka nevojë për një shkoqitje:

Natyrisht ligjet e Perandorisë Otomane ishin ato që ishin: Myslimanët i kishin të


drejtat të barabarta me Turqit, kurse të Krishterët, nëpër vendet e shkelura, quhëshin
rajà. Por nga të drejtat e barabarta me turqit përfitonte vetëm klasa sundonjëse
(pashallarë, bejlerë e agallarë) të cilët nuk përbënin më shumë se pesë për qind të
popullsisë, kurse masës së popullit mysliman kapadaillëku i mbajtjes s'armëvet i
vlente vetëm sa për të lënë kockat për Padishahun gjer në shkretirat e Azisë dhe
t'Afrikës. Është e vërtetë se ata Orthodoks që punonin tokat e bejlerëvet ishin në një
gjëndje të mjeruar. Por atje ku s'kishte Orthodoks, tokat e bejlerëvet i punonin bujqit
myslimanë, të cilët nuk ishin në një gjëndje më të mirë. Pjesa tjetër e Orthodoksvet, që
nuk punonte tokat e bejlerëvet, kishte në dorë tregëtinë dhe pothuajse të gjitha
mjeshtëritë: Ata që nuk gjenin punë të mjaftë, mërgohëshin nëpër kurbetet. Por sa
dhjetra mijë Myslimanë që s'nginjëshin dot me bukë të misërt në vëndin e tyre,
shkonin e shisnin lakra me kosha në krahë ose bënin kalldrëm nëpër rrugët e
Stambollit dhe të qyteteve të tjera të Turqisë? Klasa sundonjëse, bejlerë e pashallarë,
shfrytëzonte atë popull që kishte nën vehte dhe merrte atje ku gjente, pa dallim feje
apo kombësie, se ishte fort e lirë nga ato ndjenja. Sa për "drejtësinë" zyrtare t'asaj
kohe, zakonisht ajo anonte andej nga delte ryshfeti. Dhe ryshfetin dinin t'a jepnin
Orthodoksit aq mirë sa Myslimanët. Shkurt, popullsia e vendeve t'ulëta, e vendeve të
shkelshme, ishte përgjithësisht e shtypur në Shqipëri, myslimane apo e krishtere. Sa
për malësitë e pashkelshme që mprohëshin me armë, ato armë i kishin në dorë edhe
malësorët orthodoks. Kishin gjithashtu tokën e tyre, sado të pamjaftuarshme, si
malësorët myslimanë. Prandaj na duket e padrejtë që dallimin e ligjevet otomane
ndërmjet fevet, ose shfrytëzimin që bënte klasa sundonjëse e vëndit, t'i marrim sikur
popullsia myslimane shqiptare shtypte popullsinë orthodokse shqiptare. Sepse, me sa
dihet, Myslimanë e Orthodoks, si popull, kanë shkuar gjithmonë mirë midis tyre dhe
nuk mbahet mend që të kenë sulmuar me armë njëri-tjetrin. Nëpër fshatrat myslimane,
tregëtari (dyqanxhiu) ishte zakonisht orthodoks. E ftonin nëpër të gjitha gostitë e
fshatit dhe askush nuk i binte më qafë. Tregëtarët ose zejtarët orthodoks të qytetevet
shumicën e myshterinjve të tyre e kishin prej Myslimanëve të krahinavet. Është një
meritë dhe një lavdi e veçantë për Shqiptarët që, megjithëse në një shkallë kulture më
t'ulët, nuk kanë pasur kurrë midis tyre lufta fetare, të cilavet s'iu kanë shpëtuar dot as
popujt më të përparuar t'Evropës së Perëndimit. Ngjarjet e shëmtuara të vjetëvet 1913-
1914, në Shqipërinë e jugës dhe n'atë të Mesmen, le t'ua lëmë shtytjes së të huajvet.

Në një pikë mund të kishin të drejtë Orthodoksit, dhe është e kuptuarshme: Kur
Myslimanët, në Perandorinë Otomane, gëzonin të drejta të barabarta me Turqit dhe
mund t'arrinin shkallët më të larta, pse të mos bëhëshin edhe ata me Grekun, ku
gëzonin të njëjtat të drejta dhe mund t'arrinin të njëjtat shkallë si Grekët?

Mirëpo, kur Myslimanët ndjenin thirrjen e gjakut shqiptar, të gjuhës, të racës, dhe iu
binin Turqvet për të fituar lirinë kombëtare, duhej që edhe Orthodoksit t'a ndjenin
thirrjen e atij gjaku, t'asaj gjuhe, t'asaj race, dhe t'iu binin Grekëvet për të fituar po atë
liri. Kësaj thirrjeje atdhetarët orthodoks iu përgjigjën dhe kanë dhënë një ndihmë të
çmuar në Rilindjen kombëtare, siç do ta shohim më poshtë.

Por lëvizja shqiptare ishte fort m'e vështirë nga ajo e popujve të tjerë ballkanas. Sepse
Shqiptarëvet iu mungonte bashkimi rreth një feje të vetëme, rreth një kulture letrare,
rreth një historie të mësuar, rreth një boshti politik. Pastaj Shqiptarët nuk kishin
përkrahje të jashtëme, nuk bënin pjesë si racë as në familjen sllave, as në familjen
latine, as në familjen gjermanike. Ndërsa te Grekët dhe te Serbët, përveç përkrahjeve
të jashtëme, kryengritjen për pavarësinë kombëtare e shpallte kleri vetë si luftë të
shenjtë dhe e gjëmonin këmbanat e kishavet, Shqiptarëvet iu duhej të luftonin edhe
kundër klerit të tyre orthodoks e mysliman (përveç bektashizmit) për t'u shkëputur nga
thonjtë e Turqisë dhe të Greqisë. Pastaj klasën sundonjëse shqiptare, pashallarë,
bejlerë, bajraktarë, e të tjera përçarje krahinore e fetare, s'kish gjë që t'i mblidhte në
një drejtim të vetëm, që t'i rrjeshtonte në një hierarki, që t'i shtronte nën një autoritet,
aq fort ishin të shpërndarë gjithkush pas interesavet dhe paragjykimevet të veta më të
ngushta. Më vonë, bashkimi i tyre u bë m'i vështirë akoma kur filluan të ndërhynin së
jashtmi edhe intrigat e fuqivet të mëdha. Nuk ka qënë kurrë më me vend kënga e
përvajshme e Vaso Pashës:

Mori, Shqypni, e mjera Shqypni,


Kush të ka qitun me, krye n'hi?
Megjithatë, lëkundjet e forta evropiane dhe rreziku i copëtimit ndërmjet shtetevet
fqinjë që i kërcënoi më 1878, zgjuan menjëherë tek Shqiptarët, në fundet e thella të
vetëdijës, një ndjenjë që dukej e fjetur përgjithmonë: ndjenjën e bashkimit kombëtar.
Kjo u çfaq mjaft e fortë me Lidhjen e Prizrendit, që është ndoshta lëvizja m'e
lavdishme shqiptare në kohët e reja, edhe i dha shtytjen Rilindjes kombëtare. Por ishte
tepër e vështirë për t'u bërë në tridhjetë vjet ajo punë, ai bashkim, që tek popujt e tjerë
ishte kryer gjatë shekujvet. Prandaj kur u shpall pavarësia kombëtare më 1912, populli
shqiptar u gjend në konditat më të dobëta që shënon historia e tij, dhe humbi më
shumë se gjysmën e popullsisë dhe të tokës stërgjyshore.

1
George Finay, "A History of Greece," H.F. Tozer ed, Oxford, 1877, Vol. VI, f. 31.

XX
Me gjithë reformat e Tanzimatit, gjendja shëndetësore e "të sëmurit të Bosforit", siç e
quanin Turqinë e asaj kohe, vinte duke u keqësuar. Luftat me Austrinë dhe me Rusinë
e kishin shtënguar të zmbrapsej sa më shumë. Kombet e krishterë të Ballkanit
kërkonin pavarësinë e tyre. Dekreti (Hat-i Humajun) i vitit 1856, që shpallte reforma
më të gjera, për t'i dhënë shtetit një Kushtetutë të përshtatshme me kohët e reja dhe liri
të mjafta popujve të Perandorisë, nuk e ndryshoi gjendjen. Turqia vazhdonte të
mbahej për nevojë t'ekuilibrit evropian, sepse fuqitë perëndimore, Angli e Francë, nuk
donin që Rusia të pushtonte Dardanelet dhe të delte në Detin Mesdhe. "Çështja e
Lindjes" mbetej gjithmonë një problem i koklavitur.

Rreth 1870-ës ngjajtën disa ndryshime të mëdha në lidhje me forcat e ekuilibrit


evropian: Prusia, ndën udhëheqjen e Bismarck-ut, e mundi Austrinë më 1866 edhe e
hodhi jashtë Konfederatës gjermanike. Pastaj bëri bashkimin e plotë të Gjermanisë,
duke mundur edhe Francën më 1870-1871. Rreth kësaj date (më 1870) u krye edhe
bashkimi i Italisë, e cila tani vihej në rrugë për t'u ngritur si një fuqi e rëndësishme.

Këto ndryshime prunë një rrjeshtim të ri në vargun e aliancavet. Një nga kujdeset e
Bismarck-ut ishte që të ndalonte afrimin e Francës me Austrinë, ose edhe me Rusinë,
kundër Gjermanisë. Prandaj, që më 1873, ai mundi t'arrinte në një marrëveshje, e
ashtuquajtura Alianca e Tre Perandorëvet, ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë
dhe Rusisë. Ca vjet më vonë, më 1882, prapë me shtytjen e Bismarck-ut u
formua Alianca Tripalëshe ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë. Të tre
këta shtete kërkonin t'arrinin në një shkallë të lartë zgjerimi kolonial dhe kapitalist,
sikurse Franca dhe Anglia.

Ngritja e Gjermanisë si një fuqi e madhe, duke përmbysur n'Evropë ekuilibrin dhe
lidhjet e mëparshme ndërmjet shtetevet, pati, nër të tjerat, dy pasoja të rëndësishme, jo
vetëm për historinë e përgjithshme po edhe për fatin e Shqipërisë. E para, duke e
larguar Austrinë prej ndikimit të vjetër mbi kombësitë gjermane, e shtyti atë t'a
këthente shikimin në drejtim të Ballkanit, e vetëmja anë ngaha mund të shtrihej.
Kështu Shqipëria erdhi duke u përfshirë në rrethin e interesavet t'Austrisë. E dyta,
antagonizmi franko-gjerman që lindi prej bashkimit të Gjermanisë, e shtyti Francën
t'afrohej me Rusinë, të bëhej përkrahëse e fortë e kombësive sllave dhe, për këtë
arësye, armike numër një e Shqipërisë.

Gjer më 1870, Anglia me Francën, dy fuqi të mëdha koloniale dhe kapitaliste, qenë
munduar t'i prisnin Rusisë udhën e daljes në Dardanelet dhe në Lindjen e Afërme. Por
mbas mundjes së Francës prej Gjermanisë, Rusia mori zemër, sepse tani kishte
përballë vetëm Anglinë dhe deri diku Austro-Hungarinë. Me këtë të fundit edhe mund
të rregullohej, duke i lënë njëra-tjetrës dorë të lirë mbi zonat e ndryshme të Ballkanit.
Kështu Rusia nisi të mos i përfillte nenet e traktatit të Parisit të vitit 1856. U vu të
forconte flotën dhe bazat detare në Detin e Zi, duke u treguar si gjithmonë mprojtëse e
lirivet dhe e pavarësisë së popujve sllavë të Ballkanit. Natyrisht, qëllimi i vërtetë i saj
ishte që t'i jepte grushtin e fundit Turqisë për të dalë vetë në Dardanelet dhe në detin
Mesdhe. Në këto rrethana, mbetej vetëm Anglia si mprojtëse e Perandorisë Otomane,
duke u treguar kundër lirivet të kombësive të tjera të Ballkanit.

Ndërhyrjeve të Rusisë iu jepte rast tërthorazi edhe vetë administrata e kalbur turke me
politikën e paaftë të Portës së Lartë. Më 1875 nisi një lëvizje kryengritëse në
Herzegovinë, e cila u përhap shpejt edhe në Bosnjë. Në prendverën e 1876-ës ngritën
krye Bullgarët dhe, pas pak muajsh, Serbia e Mali-i-Zi i hapën luftë Turqisë. Flaka
desh përfshiu edhe Shqipërinë, ku gjendja ishte e turbullt në malësitë e Shkodrës, të
Dibrës, të Kosovës. Por intrigat e Rusisë dhe të Malit-të-Zi u përpoqën sidomos të
hidhnin Mirditën kundër Turqisë, duke nxitur Prenk Bib Dodën. Në këtë drejtim
vepronte edhe një grup intelektualësh shkodranë me qëllim që ta bënte Mirditën një
vatër autonomie.

Ushtëria turke i shtypi keq Bullgarët, i theu Serbët dhe ia ndali turrin Malit-të-Zi.
Sapër lëvizjen e Mirditës, u tulit edhe ajo si zjarr prej kashte, si të gjitha lëvizjet e
Shqiptarëvet, që nuk kishin as lidhje të gjera, as program të qartë, as përkrahje nga
jashtë.
Duke druajtur ndërhyrjen e Rusisë - e cila shikohej si përkrahësja e Sllavëve të
Ballkanit - fuqitë e mëdha deshën t'a sillnin Turqinë n'ujdi me popujt kryengritës, por
nuk mundën. Përpjekje paqësimi u bënë sidomos nga ana e Anglisë dhe e Austro-
Hungarisë. Kjo e fundit, që e kishte zjarrin pranë kufijvet, hyri edhe në bisedime të
veçanta me Rusinë për të caktuar sesi do të rregullohëshin punët e Ballkanit nëqoftëse
kryengritësit delnin fitimtarë, ose në rastin e kundërt. Në një pjekje që u bë ndërmjet
dy perandorëvet (i Austro-Hungarisë dhe i Rusisë) në Reichstadt, më 8 Korrik 1876,
Austro-Hungaria e çfaqi haptazi se nuk donte formimin e një shteti të madh sllav në
Ballkan. Nëqoftëse Turqia do të përmbysej, ajo kërkonte për vehte Bosnjën dhe, midis
kushtesh të tjera, përmendi krijimin e një Shqipërie autonome. Por kjo pika e fundit
nuk gjeti pëlqimin e Rusëvet.

Mbasi ushtëria turke i theu përkohësisht kryengritësit ballkanikë, por ndërhyrja e


Rusisë dukej e pashmangëshme, fuqitë e mëdha, sidomos Anglia, u përpoqën t'a
qetësonin gjendjen duke e këshilluar Portën e Lartë që të bënte disa reforma e t'iu
njihte ca të drejta autonomie popujve të Bullgarisë dhe të Bosnje-Herzegovinës. Me
propozimin e Anglisë, u mblodh në Stamboll një konferencë e ambasadorëvet, në
Dhjetor 1876.

Tronditjet në Ballkan shkaktuan edhe tronditje politike të brendëshme në Perandorinë


Otomane. Një shoqëri e fshehtë e Osmanllinjve të Rinj, me një pjesë të mirë oficerësh
dhe intelektualësh, përkrahte programin e Midhat Pashës për një kushtetutë liberale, e
cila do t'a shpëtonte Perandorinë duke i hapur udhën e reformavet dhe të përparimit.
Në verën e vitit 1876, u rrëzuan nga froni njëri pas tjetrit Sulltan Abdul Azizi dhe
Sulltan Murati V. Ky i fundit u zëvendësua nga Abdul-Hamiti II, i cili, më 24 Dhjetor
t'atij viti, shpalli Kushtetutën e re, për t'a hedhur poshtë një vit më vonë. Me shpalljen
e Kushtetutës, që parashikonte zgjedhjen e një parlamenti dhe disa liri për kombësitë e
ndryshme të Perandorisë por pa shkuar gjer tek autonomia, kryeministri liberal,
Midhat Pasha, i njoftoi Konferencës s'Ambasadorëvet se çështja e popujve të krishterë
në shtetin turk tani mund të quhej e zgidhur, mbasi ata gëzonin të drejtat politike,
lirinë e mbledhjeve, të shtypit dhe t'arësimit në gjuhët e tyre pa dallim feje e
kombësie.

Rusia nuk i gjeti të kënaqshme këto premtime, dhe nisi t'i pregatitej luftës. Për të
mënjanuar Austro-Hungarinë, ajo nënshkroi me këtë një marrëveshje të fshehtë, në
Budapest, më 15 Jenar 1877. Duke përsëritur pothuajse përmbajtjen e bisedimevet të
Reichstadt-it, në parashikim të një përmbysjeje të Turqisë a të ndryshimeve tokësore
në Ballkan, kjo marrëveshje e dytë i njihte Austro-Hungarisë të drejtën që të pushtonte
ushtarakisht Bosnjën e Herzegovinën dhe përmendte mundësinë e krijimit të një shteti
shqiptar të pavarur.
Fuqitë e mëdha deshën të bënin përpjekjen e fundit për të shuar ngatërresat e
Ballkanit, prandaj nënshkruan në Londër, Mars 1877, një protokoll me përfundimet e
Konferencës së Stambollit, që e detyronte Turqinë të formonte dy krahina bullgare
autonome dhe t'iu njihte po ato të drejta Bosnjës e Herzegovinës. Protokolli i Londrës
vinte në dukje, ndonëse në një mënyrë jo fort të qartë, parimin e kombësivet.
Konferenca e Stambollit kishte caktuar edhe kufijtë e krahinavet bullgare, njëra prej të
cilavet duhej të përfshinte të gjithë Maqedoninë shqiptare gjer në Drin. Po edhe Mali-
i-Zi nuk mbetej në harresë, mbasi Konferenca kishte menduar edhe për atë një zgjerim
të kufijvet, natyrisht mbi toka shqiptare.

Turqia nuk pranoi asnjë nga konditat e Protokollit të Londrës.

Por vendimet e fuqivet të mëdha përhapën shqetësim tek Shqiptarët, të cilët filluan të
ndjenin rrezikun e copëtimit. I pari që u hodh në vepërim ishte Abdyl Frashëri, që
thirri në një mbledhje në Janinë, në të hyrë të prendverës 1877, disa nga parësia e
Shqipërisë së jugës. Duke kujtuar rrezikun që po i kanosej vendit, mbledhja i drejtoi
Portës së Lartë një memorandum, ku i kërkonte bashkimin e të gjithave tokavet
shqiptare në një vilajet të vetëm, me shkollat, administratën dhe gjyqet në gjuhën
shqipe.

Abdyl Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë më 1839 dhe pati ndjekur mësimet në
gjimnazin grek të Janinës, bashkë me dy të vëllezërit, Naimi dhe Samiu. Më 1877,
ishte drejtor i financavet të vilajetit dhe u zgjodh deputet i Janinës në të parin
Parlament turk që u krijua pas shpalljes së Kushtetutës prej Sulltan Abdul-Hamitit.
Parashikonjës, mendim-gjerë dhe me ndjenja të flakta kombëtare, Abdyl Frashërit nuk
i mungonte as zotësia politike as shpirti i vepërimit. Ai i dha jetë Lidhjes së Prizrendit,
si do ta shohim, dhe është figura m'e lartë e lëvizjes kombëtare në kohët e reja. Është
Apostulli i parë i Shqipërisë ethnike.

Por cilët ishin kufijtë e Shqipërisë ethnike? Shqiptarët kanë qënë fort të përhapur në
Ballkan, dhe në krahinat e largme përzjehëshin me popuj prej kombësish të tjera,
greke e sllave. Prandaj këtu po marrim atë vijë që kishin caktuar disa udhëtarë e
studionjës të huaj të shekullit XIX, si dijetari frëng Ami Boué, albanologu austriak
J.G. von Hahn, ose edhe konsulli i Austro-Hungarisë në Shkodër, F. Lippich, në një
raport që i dërgonte qeverisë së tij, më 1877. Këta kanë marrë si kriter kombësie
gjuhën. Konsulli F. Lippich shënonte vetëm vijën e Shqipërisë ethnike nga veriu dhe
nga lindja.

Sipas këtyre auktorëve, vendet e banuara krejtësisht ose në shumicë të madhe prej
Shqiptarëvet nisnin nga bregdeti i Adriatikut, ndën Tivar, ndiqnin vijën e malevet dhe
anën e lumit Cem përtej liqenit të Shkodrës, kalonin përmes Kuçit gjer në Vasojeviç e
Kolashin (banorët e dy krahinavet të fundit flisnin serbisht, por ishin Shqiptarë të
sllavizuar); pastaj me një kthesë të vogël nga jugë-lindja përfshinin Gucinë e Plavën,
duke u ngjitur përsëri nga veri-lindja gjer në Rozhaj; aty hipnin drejt veriut deri në
Duga Poljana; mandej kalonin përtej Novi-Pazarit, në veri të Mitrovicës, dhe
vazhdonin nga veri-lindja gjer në Kurshumli e në Prokuplje për t'arritur lumin Morava
afër Nishit. Duke ndjekur nga juga dhe jugë-perëndimi luginën e këtij lumi, kufiri i
Shqipërisë ethnike rrokte Leskovacin, Vranjën, kalonte në perëndim të Kumanovës, e
priste Vardarin atje ku ky bashkohet me Treskën, përfshinte krahinat e Tetovës e të
Gostivarit dhe zbriste në Dibër. Nga jugë-lindja, në rrethet e Ohrit dhe në sanxhakun e
Manastirit, Shqiptarët përbënin grupe të rëndësishëm midis popullsisë sllave-
maqedonase. Pastaj vija e kufirit të popullsisë shqiptare ndiqte malet e Moravës dhe të
Gramozit gjer në Konicë, aty bënte një bërryl nga jugë-perëndimi, për t'u shtrirë
përsëri nga juga me fushën pjellore të Çamërisë, gjatë bregdetit Jonian, deri në
Prevezë. Në qytetin e e Janinës, në rrethet e Mecovës e të Grebenesë, megjithëse
kishte popullsi shqiptare, shumicën e përbënin Grekët dhe Vllehët e Pindit. Por
s'duhet të harrojmë se këta "Grekë" ishin Shqiptarë të greqizuar.

Brenda këtyre kufijve jetonin n'atë kohë përmbi dy milionë shqiptarë, numër sot na
duket i vogël, por duhet të dimë se në shekullin XIX popullsia në Ballkan, si edhe
n'Evropë, nuk ishte aq e dëndur sa ç'është tani. Kombet e tjerë të Ballkanit nuk ishin
fort më të mëdhenj nga populli shqiptar. Me një shtrirje gjeografike t'atillë mbi detet
Adriatik e Jon, dhe me fushat e Kosovës e të Çamërisë, Shqipëria kishte mjaft burime
natyrore për t'arritur në një shkallë zhvillimi të lartë, sikur t'ishte e bashkuar dhe të
qeverisej mirë.

Mbasi Turqia nuk i pranoi konditat e Protokollit të Londrës, Rusia i shpalli menjëherë
luftë, në Prill 1877. Serbia dhe Mali-i-Zi ishin gati. Ushtëria serbe pushtoi, nga jugë-
lindja, Kurshumlinë, Prokupljen, Nishin; nga jugë-perëndimi, zbriti deri në Gjilan.
Mali-i-Zi, nga njëra anë provoi të delte në Malësinë e Madhe, nga ana tjetër sulmoi
Tivarin, Ulqinin, rrethet e Anamalit e të Krajës. Më vonë, në Shkurt 1878, u lëshua
edhe Greqia turravrap se mos mbetej pa gjë. Fuqi t'armatosura të sajat hynë n'Epir e
në Thesali ku ngjajtën luftime të përgjakshme. Njëkohësisht, disa banda antartësh
zbritën në Lëkurës, afër Sarandës, për të çuar në këmbë Shqiptarët orthodoks. Po edhe
aty ndeshën në një kundërshtim te rreptë. Më në fund, me ndërhyrjen e Anglisë,
Greqia u detyrua të hiqej mënjanë.

Megjith qëndresën e fortë t'Osman Pashës në Plevna, Turqia u thye si zakonisht prej
Rusisë dhe u shtrëngua të nënshkruante traktatin e Shën-Stefanit - një lagje e jashtëme
e Stambollit - më 3 të Marsit 1878. Ky traktat krijonte një Bullgari të madhe e cila,
përveç Maqedonisë shqiptare, do të përfshinte edhe pjesë të Shqipërisë së sotshme
gjer në Drinin e Zi, në malet e Voskopojës dhe në Gramos, domethënë Dibrën,
Pogradecin, Bilishtin dhe tërë prefekturën e Korçës përveç Kolonjës. Serbinë dhe
Malin-e-Zi traktati i Shën-Stefanit jo vetëm që i bënte shtete të pavarur (deri atëhere
ishin autonome), po edhe i zgjeronte mbi toka shqiptare. Serbia do të merrte
Prokupljen, Kurshumlinë, Leskovacin, një pjesë të sanxhakut të Prishtinës, duke
zbritur nga jugë-lindja gjer në Vranjë. Kurse Mali-i-Zi përveç Tivarit edhe Ulqinit, do
të merrte të tërë një pjesë që niste prej Rugovës, afër Pejës, e shkonte duke përfshirë
Plavën, Gucinë, Malësinë e Madhe, Krajën, Anamalin, dhe përmes liqenit të Shkodrës
e gjatë rrjedhës së Bunës do të zbriste gjer në det. Siç shihet, zgjerimi i shteteve sllavë
bëhej pothuajse krejtësisht mbi tokat shqiptare.

Duke krijuar një Bullgari të madhe nën drejtimin e saj dhe duke zgjeruar dy shtete të
tjerë sllavë, Serbinë dhe Malin-e-Zi, të cilët i bënte njëkohësisht të pavarur nga
Turqia, Rusia po delte në Ngushticat dhe po e fuste Ballkanin thuajse nën vehte. Një
gjë të këtillë s'mund t'a pranonin fuqitë e tjera t'interesuara, Austro-Hungaria edhe
Anglia. Kjo e fundit dërgoi flotën e saj në detin Marmara. Nga frika e një përleshjeje
ndërmjet të mëdhenjvet, u vendos që të mblidhej një kongres në Berlin për të rishikuar
traktatin e Shën-Stefanit dhe për t'i bërë disa ndryshime.

Shqiptarët, kur muarën vesh se vendi i tyre ishte caktuar të ndahej si mish gjahu
ndërmjet fqinjëvet, u tronditën thellësisht. Pa pritur që të mblidhej Kongresi i Berlinit,
u vunë në lëvizje. Ishin të mendimit që të bënin çmos për të ndaluar copëtimin e
vendit. U formuan vetvetiu disa komitete për vetëmprojtje, sidomos nëpër krahinat e
kërcënuara, që nisën t'iu dërgonin protesta fuqivet të mëdha. Në Prill të vitit 1878,
populli i Dibrës iu dërgoi nga një telegram ambasadorëvet t'Anglisë dhe t'Austro-
Hungarisë, në Stamboll, ku iu thoshte se ishte gati të shuhej i tërë për të mos iu
nënshtruar Bullgarisë. Kaza e Dibrës përbëhet prej më shumë se 220.000
Myslimanësh dhe 10.000 të Krishterësh, të gjithë Shqiptarë, që s'kanë asnjë lidhje me
vendin e quajtur Bullgari, - shtonte telegrami. Protesta të këtilla iu vajtën fuqivet të
mëdha nga Shkodra, nga malësitë e veriut, nga qytetet e Kosovës, dhe kishin
pothuajse të njëjtën përmbajtje, se populli i këtyre vendeve, pa dallim feje, ishte i
vendosur të qëndronte me armë në dorë gjer në pikën e fundit të gjakut për të mos iu
shtruar pushtimit të Serbisë dhe të Malit-të-Zi. Por ajo që kishte rëndësi më shumë se
protestat, ishte pregatitja që filluan të bënin krahinat shqiptare të veriut, të Rrafshit të
Dukagjinit dhe të Kosovës për t'i qëndruar rrezikut me armë. Komitetet e
vetëmprojtjes u vunë në lidhje me njëri-tjetrin dhe zunë të mblidhnin ndihma e forca.
Mbledhje të gjera u bënë sidomos në Guci, Pejë, Gjakovë e Prizrend, ku i dha shtytje
lëvizjes Ali Bej (më vonë, Pashë) Gucija, i vendosur për një qëndresë me armë. Që në
fillim të Majit 1878, konsulli i Anglisë në Shkodër, Green, lajmëronte qeverinë e tij se
në Guci, Plavë e të tjera vise të Shqipërisë veriore ishte bërë një lidhje midis
Myslimanëvet për t'i qëndruar gjer në vdekje çdo fuqie të jashtëme, ose edhe të
qeverisë së Stambollit, nëqoftëse kjo ndërhynte për t'ia lëshuar vendin tjetërkujt.
Popullsia e këtyre krahinave-shtonte raporti i konsullit britanik-po i shtrin lidhjet edhe
më larg, me Shqiptarët e rrethevet të Prizrendit, Prishtinës, Fandit, Dibrës, Ohrit, e
gjer në Manastir. Më 5 Qërshor 1878, Knjaz Nikolla i Malit-të-Zi lajmëronte konsujt e
fuqive të mëdha në Shkodër se, bashkë me lidhjen që kishte bërë popullsia e Gucisë, e
Plavës dhe e viseve të tjera, një lëvizje po organizohej në Malësinë e Madhe, duke
përfshirë Grudë, Hot e Kelmend, për të shkaktuar trazime gjatë kufijvet.

Mirëpo këto lëvizje krahinore të lindura vetvetiu prej kërcënimit të jashtëm, kishin
nevojë për nj'organizim të përbashkët, për një komitet drejtonjës, përndryshe do të
shkrihëshin si të tjerat. Këtë rol s'mund t'a losnin veçse disa udhëheqës që shikonin më
larg në planin kombëtar, përtej horizontit të ngushtë të krahinavet. Gjatë luftës ruso-
turke, duke parashikuar ndryshime në Ballkan dhe rreziqe për Shqipërinë, disa nga
fytyrat më të shquara ndërmjet Shqiptarëvet të mësuar, myslimanë e të krishterë,
kishin formuar fshehtazi në Stamboll një "Komitet Qendror për Mprojtjen e të
Drejtavet të Kombësisë Shqiptare", ku bënin pjesë vëllezërit Abdyl e Sami Frashëri,
Vaso Pasha (Pashko Vasa) Shkodrani, Jani Vretua, Zia Prishtina e të tjerë atdhetarë.
Qëllimi i këtij Komiteti ishte shpëtimi i tokavet shqiptare prej copëtimit dhe kërkimi i
autonomisë. Pas mundjes së Turqisë dhe duke parë gjendjen e vështirë të saj, Komiteti
shpresonte se Porta e Lartë do t'ishte e shtrënguar të vinte në një marrëveshje me
Shqiptarët duke iu njohur këtyre autonominë, pse ndryshe s'kishte sesi t'i mpronte
krahinat perëndimore të Ballkanit. Nga ana tjetër, duke e ditur se fqinjët ishin në
pozita më të forta dhe përkrahëshin nga fuqitë e mëdha, Komiteti i Stambollit u tregua
i matur, në një shpallje që bëri më 30 Maj 1878: "Ne duam të rrojmë në paqe me të
gjithë fqinjët tonë: Malin-e-Zi, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Nuk kërkojmë as nuk
dëshirojmë gjë prej tyre, por jemi krejt të vendosur për të mprojtur gjer në fund çdo
gjë që është e jona. Toka shqiptare duhet t'iu lihet Shqiptarëvet". Komiteti i Stambollit
shpresonte edhe se fuqitë e mëdha do të pështetëshin deri diku në parimin e
kombësivet për të rregulluar çështjet ballkanike.

Mbasi shpëtimi i Shqipërisë varej, në radhë të parë, nga përpjekja e Shqiptarëvet vetë,
kryetari i Komitetit Qendror të Stambollit, Abdyl Frasheri, u nis menjëherë për në
Shqipëri, me qëllim që të drejtonte lëvizjen. Rreziku ishte i afërt, kohët nuk prisnin,
duhëshin bashkuar forcat, duhej lidhur vepërimi. Krahinat e kërcënuara të Shqipërisë
veriore e veri-lindore ishin në gjendje kushtrimi, krerët e tyre caktuan të mblidhëshin
në Prizrend për të lidhur kuvend e besë. Ndonëse në fillim mbledhja u duk si një nga
më të zakonshmet që bënin Shqiptarët herë pas here, ndën shtytjen e rrethanavet të
jashtëme dhe me frymën që i dha Abdyl Frashëri me shokë, u kthye në një lidhje të
vërtetë kombëtare, e njohur në histori me emrin Lidhja e Prizrendit. Prandaj në një
kuptim më të gjerë, mund të themi se kjo është e dyta mbledhje kombëtare e
Shqipërisë pas asaj që bëri Skënderbeu, në Lesh, më 1444.

Përfaqësonjësit e krahinavet të kërcënuara u mblodhën në Prizrend, më 10 Qërshor


1878. Të shumtët ishin nga Shqipëria e veriut dhe e veri-lindjes, nga Kosova, nga
Dibra, nga Shkodra. Prej jugës dhe Shqipërisë së Mesme kishte fare pak, sepse koha
ishte e shkurtër, udhëtimi i vështirë. Erdhën edhe disa krerë të popullsivet myslimane
sllave të Bosnjës, Herzegovinës dhe të sanxhakut të Novi-Pazarit, të cilët donin t'a
lidhnin luftën e tyre me atë të Shqiptarëvet për të mos u shkëputur prej Turqisë.
Mbledhjen e hapi Abdyl Frashëri, i cili tregoi qëllimin e saj, rrezikun që i kërcënohej
vendit, dhe paraqiti një plan vepërimi për të mprojtur çdo pëllëmbë të tokës shqiptare
prej një çipi t'atdheut në tjetrin. U vendos të krijohej në tërë Shqipërinë një organizatë
e përgjithshme për mprojtjen e të drejtavet të kombësisë shqiptare, me në krye një
komitet qendror të përhershëm që do të mbetej në Prizrend. Me këtë do të lidhëshin
degët krahinore t'organizatës. Në Komitetin qendror bënin pjesë Sheh Mustafa
Tetova, i cili u zgjodh edhe kryetar, Ali Pashë Gucija, Iljaz Pashë Dibra, myderriz
Ymer Efendi Prizrendi, Sulejman Vokshi e të tjerë. Përveç këtyre dhe Abdyl
Frashërit, që ishte mendja drejtonjëse e lëvizjes, u shquan edhe dy figura të radhës së
parë në vepërimet e pastajme: Hodo Beg Sokoli nga Shkodra dhe Prenk Bib Doda i
Mirditës.

Mbledhja e Prizrendit iu drejtoi nga një protestë Kongresit të Berlinit edhe Sulltanit
kundër çdo copëtimi të tokavet shqiptare. Në telegramin drejtuar Portës së Lartë, më
15 të Qërshorit, thuhet ndër të tjerat: "Kur na thërret atdheu, qoftë i mallkuar ai që
mendon për interesat e veta! Në Lidhjen tonë kemi vendosur ta shpallim botërisht se
jemi të gjithë Shqiptarë dhe se feja s'ka të bëjë".

Porsa që u vendos se Shqiptarët do t'i mpronin me armë tokat e tyre në rast se


Kongresi i Berlinit ua jepte Serbisë dhe Malit-të-Zi, duhëshin bërë pregatitjet.
Pikësëpari duhëshin formuar kudo komitetet krahinorë, në lidhje me atë të Prizrendit.
Pastaj këta do të çonin më këmbë forcat e armatosura duke iu siguruar ushqimin,
mjetet e mbajtjes, armë e municione. Me thirrjen e parë, të gjithë burrat e aftë, duke
lënë vetëm nga një për shtëpi, duhej t'ishin gati për në luftë. Ai Shqiptar që nuk i
përgjigjej kushtrimit, ose që i këthente shpinën armikut, do të dënohej me vdekje. U
parashikua numri i trupavet që do të nxirte çdo krahinë, kumanda dhe mënyra e
ndërlidhjevet të tyre. U caktua taksa dhe ndihma për t'iu bërë ballë shpenzimevet. Një
nga detyrat e komitetevet ishte mbajtja me bukë dhe strehimi i dhjetra mijë
Shqiptarëve të shpërngulur nga krahinat e pushtuara prej Serbvet dhe Malazezvet.

Mbasi u muarën këto vendime, antarët e Lidhjes së Prizrendit u shpërndanë nëpër


krahinat e tyre për t'organizuar komitetet dhe për të vazhduar vepërimin.

Ata që kanë menduar ose që mendojnë se Lidhja e Prizrendit ishte një krijesë e
Turqisë, gabohen trashamanisht. Ajo lindi prej vetiu si një çfaqje e vetëdijes
kombëtare përpara rrezikut të copëtimit. E pamë sesi, prej Dibre deri në Plavë e Guci,
i tërë vendi u trondit kur u muarën vesh kushtet e traktatit të Shën-Stefanit. Protestat
dhe mbledhjet filluan dy muaj më parë se të caktohej kuvendi i Prizrendit. Edhe
Komiteti i Stambollit kishte nisur i fshehtë. S'do mend të kuptohet që Turqia nuk e
pengoi dhe ndoshta e përkrahu në fillim Lidhjen e Prizrendit, sepse kundërshtimin e
Shqiptarëvet desh t'a përdorte si një forcë ose argument për të detyruar Kongresin e
Berlinit që t'i kufizonte sa më shumë kërkesat e Rusisë dhe të fqinjëvet. Por kjo nuk
do të thotë që lëvizja, e mori shtytjen prej Turqisë. Porsa e pa që Lidhja u kthye
kundër Stambollit për të kërkuar autonominë e Shqipërisë, Turqia përdori forcën dhe e
shpërndau.

Nër komitetet krahinorë, ai i Shkodrës u tregua mjaft i gjallë, sepse një pjesë e asaj
krahine ishte caktuar t'i jepej Malit-të-Zi. Nga Shkodra iu dërgua, më 18 Qërshor
1878, një memorandum i nënshkruar prej 500 vetash n'emrin e të gjithë Shqiptarëvet
kryeministrit t'Anglisë, Lordit Beaconsfield (Disraeli), i cili i printe dërgatës britanike
në Kongresin e Berlinit, që u hap më 13 Qërshor nën kryesinë e Bismarck-ut.
Memorandumi kritikonte politikën mbisundonjëse të Rusisë dhe kushtet e traktatit të
Shën-Stefanit, kërkonte pavarësinë e Shqipërisë, në pajtim me parimin e kombësivet,
dhe formimin e një komisioni ndërkombëtar që të ngarkohej me këtë çështje, siç ishte
bërë për Bullgarinë, mbasi Shqiptarët nuk kishin besim në qeverinë turke. "Shqipëria
nuk mund të përfaqësohet prej qeverisë otomane, thuhej në memorandumin. Shqiptari,
katolik, orthodoks apo mysliman, e urren pushtonjësin turk ashtu si çdo tjetër
pushtonjes të huaj... Sikurse nuk jemi as nuk duam të jemi Turq, po ashtu e
kundërshtojmë me të gjitha fuqitë tona cilindo që do të kërkonte të na bënte Sllavë,
Austriakë ose Grekë. Ne duam të jemi vetëm Shqiptarë... Shqipëria nuk do t'i shtrohet
kurrë sundimit sllav, qoftë të Bullgarisë apo të Malit-të Zi; Shqipëria nuk don të jetë
as e Turqisë, siç e provon lufta e saj prej më shumë se katër shekujsh për të ruajtur
traditat dhe karakterin kombëtar". Memorandumi nuk shprehej ashpër kundrejt
Greqisë, mbasi kjo s'kishte kërkuar gjëkafshë akoma prej tokavet shqiptare, por e
përmendte se "Shqipëria nuk mund t'i bashkohet Greqisë, mbasi ka një ndryshim të
thellë race, gjuhe, qytetërimi e zakonesh ndërmjet dy popujvet". Tregonte gjithashtu
dallimin ethnik, njësinë dhe shtrirjen gjeografike të racës shqiptare.

Siç shihet, ky memorandum që u dërgua nga Shkodra n'emër të të gjithë Shqiptarëvet,


synonte pavarësinë e Shqipërisë, problem që Lidhja e Prizrendit s'e kishte prekur
akoma. Si duket, u pregatit prej Komitetit të Shkodrës (Katolikë e Myslimanë) pranë
Lidhjes së Prizrendit, dhe kuptohet menjëherë fryma e ndikimit të Katolikëvet. Përse
iu drejtua kryeministrit t'Anglisë dhe jo Bimarck-ut, ose përfaqësonjësit t'Austro-
Hungarisë, kurse kjo fuqi e fundit duhej t'ishte m'e interesuar për Shqipërinë? Mund të
ketë pasur dy arësye: e para, Anglia ishte në kundërshtirn më të hapët me Rusinë; dhe
e dyta, Austro-Hungaria mund të kishte qëllime pushtimi mbi Shqipërinë, siç po
gatitej të zinte Bosnjën dhe Herzegovinën Nuk është e kotë fjala në memorandumin:
"...e kundërshtojmë me të gjitha fuqitë tona cilindo që do të kërkonte të na bënte...
Austriakë...". Porsa që Myslimanët pranonin shkëputjen nga Turqia, Katolikët jepnin
provën se nuk donin n'asnjë mënyrë t'i nënshtrohëshin Austrisë.
Të tjera protesta i drejtuan Shqiptarët nga çdo anë Kongresit të Berlinit për mos-
lëshimin e tokavet të tyre shtetevet fqinjë. Më 20 Qërshor 1878, dhjetë nga antarët më
të shquar të Komitetit Qendror shqiptar të Stambollit iu dërguan një memorandum
Bismarck-ut, Andrassy-ut (ministrit të Punëve të Jashtëme t'Austro-Hungarisë) dhe
Lordit Beaconsfield, në të cilin kërkonin autonominë e Shqipërisë brenda kuadrit të
Perandorisë Otomane. Nënshkruësit ishin prej të tre besimevet, si Vaso Pasha, Sami
Frashëri, Jani Vreto e të tjerë, dhe n'emër të popullit shqiptar kërkonin që, "pa cënuar
të drejtat sovrane të Sulltanit, të formohej një komision ad hok, i përbërë prej
Shqiptarësh, i cili, ndën mbikqyrjen dhe me pëlqimin e Portës së Lartë, të studionte
formën dhe të përcaktonte rregulloren e institucionevet të reja lokale, në përshtatje me
karakterin, zakonet dhe nevojat e vendit". Memorandumi vazhdonte: "Duke i
paraqitur këto dëshira Kongresit dhe duke iu lutur që t'i marri parasysh, populli
shqiptar proteston përpara Evropës kundër lëshimit t'edhe më të voglës copëz të tokës
së tij ndonjë kombësie tjetër cilado qoftë, edhe shpall botërisht se ai është gati të
flijojë të gjitha forcat e veta jetësore e ushtarake për t'i qëndruar këtij vendimi të lartë,
të cilin ai e mban si një detyrë të shenjtë që ia urdhëron e Drejta dhe nderi kombëtar".

Memorandumi i Komitetit të Stambollit ndryshon prej atij të Komitetit të Shkodrës; e


para, sepse kërkon vetëm autonominë brenda kuadrit të Perandorisë Otomane, dhe e
dyta, sepse dëshiron që komisioni i përcaktimit të rregullores organike të përbëhej
mundësisht prej Shqiptarësh. Dhe e tërë puna të kryhej me pëlqimin dhe ndën
mbikqyrjen e Portës së Lartë. Sigurisht, memorandumi i Komitetit të Stambollit ishte
më realist. N'atë gjendje ku ndodhej populli shqiptar dhe n'ato rrethana politike të
jashtëme, nuk mund të pritej që Shqipëria të delte menjëherë shtet i pavarur, gjë që s'e
kishin bërë dot as kombe të tjerë në Ballkan. Duhej të kalonte me doemos nëpër
autonominë sepse nuk ishte e pregatitur nga brenda, ku fanatizmi turkoman mbahej
akoma i fortë; sepse fuqitë e mëdha, Anglia dhe Austro-Hungaria, nuk donin që të
shpartallohej Perandoria Otomane dhe se Shqiptarët nuk kishin përkrahje nga jashtë.
Kurse nën mprojtjen e Turqisë dhe t'atyre që mpronin Turqinë, po të mundnin të
shpëtonin tërësinë e tokavet dhe të bashkohëshin të gjithë në një shtet autonom, ishte
një punë fort e madhe, ishte sigurimi jetësor i kombësisë dhe i Shqipërisë së pavarur
për në t'ardhmen.

N'ato rrethana të vështira, udhëheqësit shqiptarë ishin përpjekur të gjenin aliatë. Mbasi
edhe Greqia, në Ballkan, kërcënohej prej zgjerimit të Sllavëvet në Maqedoni dhe prej
politikës pansllaviste të Rusisë, atdhetarët shqiptarë, megjithëse i dinin qëllimet e
Grekëvet kundrejt Epirit, patën provuar të sillnin afrimin midis dy kombevet për t'i
bërë ballë rrezikut të përbashkët. Nëpërmjet të një lidhjeje me Greqinë, e cila kishte
përkrahjen e Anglisë dhe të Francës, Shqiptarët mund të gjenin pështetje edhe në
qarqet ndërkombëtare. Ideja e një bashkimi shqiptaro-grek ishte e vjetër, që në kohën
e Ali Pashë Tepelenës. Por ndryshe e kuptonin Grekët, ndryshe Shqiptarët.
Udhëheqësit si Abdyl Frashëri me shokë kërkonin që Greqia të njihte tërësinë
tokësore të një shteti shqiptar më vehte, i cili duhej të përfshinte, nga juga, vilajetin e
Janinës gjer në Prevezë, dhe pastaj të dy popujt të bashkëpunonin ngushtë si miq e
aliatë midis tyre. Kurse grekët kishin të njëjtat qëllime që tregojnë edhe sot: donin që
kufijtë e Greqisë t'arrinin gjer në Përmet. Prandaj bisedimet e nisura prej Abdyl
Frashërit në Janinë, në Korrik 1877, gjatë luftës ruso-turke, dhe që vazhduan mandej
në Stamboll ndërmjet anës shqiptare dhe një përfaqësonjësi të qeverisë greke,
dështuan. U kuptua se me Grekët nuk mund të kishte marrëveshje.

Për të shpëtuar kombësinë shqiptare, e tërë shpresa mbetej tek lufta e popullit
shqiptar. Kur pjesëmarrësit e Kuvendit të Prizrendit u shpërndanë nëpër krahinat e
tyre për t'iu përveshur punës, Abdyl Frashëri u kthye në Shqipërinë e jugës, ku
zhvilloi një veprimtari të gjerë. Mbledhje të përgjithshme u bënë në Berat, Vlorë,
Gjirokastër e të tjera qendra, për t'organizuar komitetet krahinorë në lidhje me atë të
Prizrendit. Rëndësi të veçantë pati një mbledhje që thirri Abdyli në teqenë e Frashërit
dhe që u mbajt nën kryesinë e Baba Alushit. Muarën pjesë parësi e njerëz të mësuar,
myslimanë e orthodoks, nga e tërë Toskëria. Me një ndjenjë të re atdhetarie që porsa
kish nisur të ngjallej, mbledhja i pranoi të gjitha vendimet e Prizrendit, lidhi fjalën se
nuk do t'i lëshohej Greqisë asnjë pëllëmbë e tokës shqiptare, dhe se në rast nevoje
fuqitë e jugës do të shkonin në veri. Përveç kësaj, Abdyl Frashëri pati rastin të fliste
me njerëz më të mësuar dhe t'i parashtronte mbledhjes një plan vepërimi edh'
organizimi për t'a bërë Shqipërinë shtet autonom në kuadrin e Perandorisë Otomane.
Duket se këto mendime Abdyli i kishte pasur me kohë edh' ishin pak a shumë ato të
Komitetit Qendror të Stambollit, por në Frashër i rrahu me një rreth të ngushtë miqsh
dhe ia paraqiti mbledhjes. Ideja e bashkimit kombëtar filloi të zinte rrënjë e të
lëshonte degë. Mbledhja e pranoi programin e autonomisë, por hëpërhë duhej mbajtur
i fshehtë, për t'u shpallur më vonë prej Lidhjes së Prizrendit pasi të kish kaluar rreziku
i copëtimit të vendit. Duk'me qënë se Shqiptarët n'atë kohë ndahëshin më shumë pas
fevet, Abdyl Frashëri mundi t'i hidhte Bektashinjtë në lëvizjen kombëtare dhe u
përpoq t'afronte Orthodoksit. Komitetet e vepërimit u organizuan kudo në Shqipërinë
e jugës, por më të rëndësishmit u bënë ata të Gjirokastrës, Janinës dhe Prevezës,
gjithmonë në lidhje me qendrën e Prizrendit. Këtë radhë flitej për Shqipëri e për shtet
shqiptar, dhe jo për pashallëke. Ndihej e njëjta frymë prej një çipi t'atdheut në tjetrin.
Kështu Lidhja e Prizrendit u bë një lidhje e përgjithshme kombëtare.

Si vend pikëpjekjesh ndërmjet komitetevet të veriut dhe të jugës, mbledhja e


Prizrendit kishte caktuar Elbasanin. Pengesat ishin të mëdha n'atë kohë për takime të
rregullta, prandaj çdo krahinë detyrohej të vepronte sipas mundësivet dhe rrethanavet,
por duke ndjekur të njëtin program, për të njëjtin qëllim. Abdyl Frashëri u përpoq t'i
mbante sa më të lidhur komitetet midis tyre dhe sidomos të bëhëshin më të shpeshta
udhëtimet ndërmjet jugës dhe veriut, në mënyrë që të thyhëshin ndarjet krahinore dhe
të forcohej bashkimi kombëtar. Mbasi më 1878 rreziku m'i madh rëndonte mbi
Shqipërinë e veriut, komitetet e jugës po mendonin pregatitjen e një dërgimi forcash
në veri.

Ndërkaq, Kongresi i Berlinit i kishte marrë vendimet e tija pa i shikuar fare protestat e
Shqiptarëvet. Copëtimin e tokavet të Shqipërisë duhej t'a kishte kundërshtuar sidomos
Austro-Hungaria për t'i vënë një kufi zgjerimit të Sllavëvet, të cilët i prisnin rrugën e
jugë-lindjes drejt detit Egje. Në marrëveshjen e fshehtë austro-ruse të 15 Jenarit 1877,
ishte pranuar në parim krijimi i një shteti shqiptar të pavarur në rast se do të bëhëshin
ndryshime tokësore në Ballkan. Por gjatë luftës ruso-turke, duket se Austria mendoi ta
pushtonte vetë Shqipërinë e veriut. Këtë ide e kishte pasur prej kohësh më parë. Kurse
në Kongresin e Berlinit u kënaq me të drejtën që iu dha të pushtonte Bosnjën dhe
Herzegovinën, gjoja për të siguruar qetësinë n'ato vende, dhe desh që Shqipëria të
mbetej hëpërhë në Perandorinë Otomane gjer sa t'i vinte radha për t'a shtirë në dorë.
Qëndresa e Shqiptarëvet kundër Serbo-Malazezve i bënte mirë Austro-Hungarisë, po
kërkesat e tyre për autonomi nuk i përkrahu, se nuk desh që ajo lloj lëvizjeje të
përhapej edhe në Bosnjë e Herzegovinë. Pra, në Kongresin e Berlinit, politika e
Austro-Hungarisë, e butë si gjithnjë, u përpoq t'i kufizonte kërkesat e shtetevet sllavë
kundrejt tokavet shqiptare, po jo t'i hidhte fare poshtë. Ndërsa politika turke u mundua
t'i prapste Serbinë, Malin-e-Zi dhe pastaj Greqinë prej tokavet shqiptare. Dhe për këtë
kërkoi përkrahjen e përfaqësisë austriake në Kongresin e Berlinit. Ky ishte edhe
shkaku që Turqia, në fillim, e shikoi me sy të mirë lëvizjen e Shqiptarëvet.

Kongresi i Berlinit, sikurse e pohoi edhe Bismarck-u vetë, ishte mbledhur për të
larguar rrezikun e një përleshjeje ndërmjet të mëdhenjvet, domethënë Anglia dhe
Austro-Hungaria, nga njëra anë, Rusia nga tjetra. Këto lloje mbledhjesh, ndonëse
përfytyrimi popullor i rrethon me një madhështi të veçantë, nuk ndryshojnë fort nga
ato të hajdutëvet për të ndarë plaçkën. Në verën e vitit 1877, gjatë luftës ruso-turke,
Bismarck-u dhe ministri i Punëve të Jashtëme t'Anglisë, Derby, i patën propozuar
Francesco Crispi-t që Italia të pushtonte Shqipërinë në rast se Austro-Hungaria do të
merrte Bosnjën. Por Italia nuk u interesua për këtë dhuratë, ndoshta për të mos pasur
ngatërresa me Austro-Hungarinë dhe me Shqiptarët. Ajo porsa e kish bërë bashkimin
e saj si shtet, dhe e ndjente vehten akoma mjaft të dobët. As në Kongresin e Berlinit
përfaqësonjësi i saj Kont Corti, nuk kërkoi gjëkafshë.

Greqisë traktati i Shën-Stefanit nuk i jepte gjë. Por në Kongresin e Berlinit, ku mundi
të paraqitej me ndërmjetësinë e Anglisë, ajo kërkoi Kretën, Thesalinë dhe Epirin.
Kryetari i përfaqësisë frënge në Kongres, Waddington-i, propozoi që t'i jepëshin
Greqisë Thesalia edhe Epiri gjer në lumin Kallama, pa u menduar se Epiri ishte tokë
shqiptare. Propozimin e Waddington-it e pështeti edhe përfaqësia italiane. Por
Kryeministri i Anglisë, Lordi Beaconsfield, megjithëse përkrahës i Greqisë, nuk donte
që të dobësohej tepër Perandoria Otomane. Prandaj me ndërhyrjen e tij nuk u muar
ndonjë vendim urdhëronjës mbi këto propozime. Në një artikull të veçantë Kongresi
çfaqi dëshirën që Turqia dhe Greqia të merreshin vesh vetë midis tyre për një ndreqje
të kufijvet; fuqitë e mëdha ruanin të drejtën që të ndërhynin si ndërmjetëse për të
lehtësuar marrëveshjen në rast se të dy palët nuk do të binin dot n'ujdi.

Bullgaria nuk mori asgjë nga tokat shqiptare, mbasi Kongresi vendosi që t'ia linte
Maqedoninë Turqisë. Kurse Serbia, me kundërshtimin e Austro-Hungarisë, nuk arriti
dot gjer në rrethet e Novi-Pazarit, të Mitrovicës e të Prishtinës, por mori Kurshumlinë,
Prokupljen, Nishin, Leskovacin dhe Vranjën.

Mali-i-Zi pat hyrë në Tivar më 18 të Jenarit 1878, në kohën e luftës ruso-turke, pas një
rrethimi të gjatë. Siç e dëshmon një gazetar frëng, Auguste Meylan, që ndodhej pranë
ushtërisë malazeze, dhjetë mijë gjyle të dhëna prej Rusisë qenë hedhur mbi qytetin, ku
s'kishte mbetur asgjë veçse gërmadha edhe kufoma, të mbuluara në rrënimet ose të
qelbura rrugëvet. Në një xhami u gjetën dyqind gra të vdekura nga uria. "Kam parë
shurnë rrethime të tjera, tregon ai, por s'kishnja parë kurrë një gjë kaq të tmerrshme sa
ky qytet i mjerë i Tivarit, ku s'ka mbetur asnjë shtëpi në këmbë". Pas Tivarit, Mali-i-
Zi pushtoi edhe Ulqinin, por këtë të fundit u shtrëngua t'a lëshonte prapë. Përfaqësia
turke në Kongres, duke u pështetur në protestat e Shqiptarëvet, kërkoi që Malit-të-Zi
të mos i jepëshin toka nga kjo anë por të merrte si shpërblim një pjesë të
Herzegovinës, e cila banohej nga e njëjta racë sllave. Ndoshta Turqit e bënë këtë
propozim sepse e panë që Herzegovinën po e pushtonte Austro-Hungaria. Më në fund
përfaqësonjësit e Rusisë dhe t'Austro-Hungarisë ranë n'ujdi mbë një plan të përbashkët
që e pranoi edhe Kongresi. Sipas këtij plani, Ulqini i mbetej Turqisë, por Malit-të-Zi i
lihej Tivari dhe i jepëshin akoma qytetet Podgorica e Shpuza si edhe krahinat Plava,
Gucija, Kuçi e Triepshi, të gjitha toka shqiptare.

Duke marrë këto vendime, Kongresi i Berlinit nuk e kishte llogaritur qëndresën e
Shqiptarëvet, e cila u tregua e fortë, në veri kundër Malazezvet, në jugë kundër
Grekëvet. Mbasi Serbia i kishte pushtuar gjatë luftës krahinat që i jepte Kongresi,
Shqiptarët s'patën kohë as fuqi për t'a ndaluar. Por Malit-të-Zi i qëndruan me forcë.

Ushtëria austro-Hungareze ishte vënë në lëvizje më 22 Korrik 1878 për të pushtuar


Bosnjën dhe Herzegovinën, por u prit me armë prej Bosnjakëvet. Siç e pamë më sipër,
në mbledhjen e Prizrendit kishin marrë pjesë disa krerë të Bosnjës e Herzegovinës për
ta lidhur luftën e tyre me atë të Shqiptarëvet. Përparimi i ushtërisë austriake drejt atyre
dy krahinave, e sidomos frika e pushtimit të Novi-Pazarit, i shqetësoi Shqiptarët, një
pjesë e të cilëvet u tregua gati për t'iu vajtur në ndihmë Bosnjakëvet. Turqia desh ta
shfrytëzonte këtë rast dhe, duke nxitur ndjenjat fetare, u përpoq t'i shtynte Shqiptarët
myslimanë të vilajetevet të Shkodrës dhe të Kosovës për të mprojtur Bosnjën. Pas një
tronditjeje të parë, Shqiptarët e gjetën t'arësyeshme që duhej të mpronin vetëm tokat e
tyre dhe të mos hidhëshin n'aventura kundër Austrisë për çështjen e Bosnjës.
Në muajin e Gushtit 1878, u formuan komisionet ndërkombëtare për të caktuar kufijtë
ndërmjet Malit-të-Zi e Turqisë dhe Serbisë e Turqisë. Por Shqiptarët e kishin
vendosur të qëndronin me armë kundër Malit-të-Zi, gjë që do t'ia bënte punën të
pamundur komisionit ndërkombëtar. Për të mbajtur zotimet kundrejt fuqivet të mëdha,
Turqia dërgoi në Shqipërinë e veriut Mehmet Ali Pashën, i cili kishte qënë një nga
përfaqësonjësit e saj në Kongresin e Berlinit. Mareshali turk njihte disa nga
pashallarët shqiptarë që kishin shërbyer nën kumandën e tij në kohën e luftës kundër
Serbisë dhe Malit-të-Zi, edhe mendoi se miqësia me këta do t'ia lehtësonte punën.
Porsa arriti në Prizrend, më 25 Gusht 1878, thirri Komitetin drejtonjës të Lidhjes për
t'a bindur ose për t'a shtrënguar që të pranonte vendimet e Berlinit. Por Shqiptarët
s'deshën të merrnin vesh për këshillat as për kërcënimet e mareshalit turk.
Përkundrazi, populli nisi të lëvizte dhe të tregonte shqetësim kundrejt ndërhyrjevet të
Stambollit. Si s'bëri dot punë në Prizrend, Mehmet Ali Pasha, i mprojtur nga disa
kompani ushtarësh turq, shkoi në Gjakovë dhe ra mik në shtëpinë e Abdullah Pashë
Drenit, i cili ishte një nga antarët më të fuqishëm të Lidhjes shqiptare. Por as në
Gjakovë s'mundi të bënte gjëkafshë, dhe gjeti një kundërshtim aq të rreptë sa në
Prizrend. Më 2 të Shtatorit, një dërgatë e Lidhjes vajti e iu lut mareshalit turk që t'ikte
sa më parë, por ai nuk dëgjoi. Lidhja i kërkoi njëkohësisht Abdullah Drenit që të mos
e mbante në shtëpi armikun e vendit, po edhe ky u përgjigj se s'mund t'a përzinte
mikun dhe se do t'a mpronte me të gjitha fuqitë e tija sipas zakonevet shqiptare.
Gjëndja u acarrua tepër. Populli i Gjakovës buçiti përjashta dhe bërtiste rrugëvet.
Lidhja iu bëri thirrje edhe malësivet dhe e rrethoi mareshalin turk në shtëpinë e
Abdullah Drenit; kurse ky i fundit kishte mbledhur njerëzit e tij për t'a mprojtur. Më
në fund pushka plasi dhe vazhdoi nja dy ditë. Më 6 të Shtatorit, pas një sulmi të
furishëm, Shqiptarët e Lidhjes e muarën shtëpin e Abdullah Drenit, ku mbet i vrarë
Mehmet Ali Pasha me oficerët dhe tërë ushtarët turq që s'u dorëzuan. Mbetën të vrarë
gjithashtu Abdullah Dreni vetë me trimat e tij. Po edhe rrethonjësit patën mjaft
humbje.

Ngjarjet e Gjakovës bënë një përshtypje të thellë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata të
huaj që mendonin se Lidhja Shqiptare kishte qënë një krijesë e Turqisë, u gjetën të
gabuar. Po edhe për Shqiptarët vetë, lidhjet e tyre me Turqinë kishin arritur në një
pikë ku duhej ndarë shapi nga sheqeri. Besnikët e lëvizjes kombëtare e bënë forra dhe
e provuan se ishin gati të luftonin edhe kundër Turqvet për të mprojtur tërësinë dhe
vetqeverisjen e vendit; kurse një gjë e tillë iu dukej punë e çmendur turkomanëvet,
disa çifligarëve dhe njerëzve t'interesuar që s'donin të shkëputëshin prej administratës
turke. Kështu, bashkimi që kishte qënë pothuajse i përgjithshëm për të mprojtur tokat
shqiptare, pësoi një përçarje kur erdhi puna për të kërkuar autonominë e Shqipërisë,
qoftë edhe me forcë, kundër Turqvet. Megjithatë, nacionalistët, të pështetur në masat e
popullit, u përpoqën të qëndronin dhe t'a sundonin gjëndjen. Lëvizja shqiptare nisi t'a
shqetësonte Turqinë tash që po këthehej kundër saj. Por Stambolli e hoqi urtë e butë
në fillim, për të mos i acarruar punët edhe më keq, prandaj nuk mori ndonjë masë për
ngjarjet e Gjakovës. Lidhja shqiptare, që po tregohej një forcë, e trembi edhe Malin-e-
Zi, i cili kërkonte dorëzimin e krahinavet që i njihte traktati i Berlinit. Me gjithë
shtrëngimin e fuqivet të mëdha që shtytëshin nga Rusia, Porta e Lartë përgjigjej se
duhej durim për të mos shkaktuar gjakderdhje me Shqiptarët dhe ndoshta një
përmbysje të krejt gjëndjes. Vetëm në Shkurt 1879 mundi Turqia t'i lëshonte Malit-të-
Zi Podgoricën, Shpuzën dhe Zhabjakun duke i tërhequr që andej ushtëritë e saja. Sa
për Plavën dhe Gucinë, u përgjigj se s'mund të bënte asgjë mbasi ato ishin në duart e
Shqiptarëvet.

Gjendja në Shqipërinë e jugës nuk ishte më pak shqetësonjëse. Greqia, e përkrahur


nga Franca kërkoi të hapte menjëherë bisedimet me Turqinë për një ndryshim të
kufijvet. Turqia nuk po shpejtohej për këtë punë, sepse Protokolli i Berlinit nuk i
ngarkonte asnjë detyrim kundrejt Greqisë veçse këshillonte një marrëveshje ndërmjet
dy palëvet. Pastaj pështetej n'arësyen që Epiri banohej prej Shqiptarëvet, të cilët nuk
pranonin t'i nënshtrohëshin Greqisë. Më në fund, me ndërhyrjen e Francës dhe të
fuqivet të tjera, komisionet turke e greke u poqën në Prevezë për të filluar bisedimet,
më 5 të Shkurtit 1879.

Komitetet e Lidhjes Shqiptare ishin mbledhur përpara asaj date në Janinë e në


Prevezë. Në Jenar 1879, vendosën t'iu dërgonin një memorandum fuqivet të mëdha,
ku iu thoshin se Epiri banohej prej Shqiptarëve dhe se këta nuk do t'i nënshtrohëshin
kurrë Greqisë. Njëkohësisht ia përmendën kryetarit të komisionit turk, Myftar Pashës,
se s'duhej të lëshonte asnjë pëllëmbë tokë nga Epiri. Mbledhje zunë të bëhëshin në të
gjitha qytetet e Toskërisë, por ajo m'e madhja u mbajt në Prevezë, ku erdhën
përfaqësonjës të Lidhjes edhe nga Shqipëria e veriut. Këto vepërime i ndihmoi edhe
qenia e Abedin Bej Dinos, Shqiptar prej Çamërie, në komisionin turk të bisedimevet
me Grekët. Disa mbledhje u bënë në shtëpinë e tij. Lidhja Shqiptare vendosi të
pregatiste një forcë prej 30.000 burrash për t'iu qëndruar Grekëvet me armë në rast se
këta do të guxonin të hynin n'Epir me ushtëri. Më në fund bisedimet turko-greke
s'arritën dot n'asnjë marrëveshje, dhe komisionet u shpërndanë.

Po rreziku mbetej i varur mbi Shqiptarët. Prandaj Lidhja e tyre vendosi të dërgonte
n'Evropë Abdyl Frashërin dhe Mehmet Ali Vrionin për t'iu parashtruar fuqivet të
mëdha çështjen shqiptare e për të kërkuar që të merrëshin parasysh edhe të drejtat e
kësaj kombësie. Gjatë muajvet Prill, Maj e Qërshor 1879, dërgata shqiptare u paraqit
në kryeqytetet e Evropës perëndimore, Paris, Berlin, Vienë, Romë, duke iu dhënë
fuqivet të mëdha një memorandum n'emër të popullit shqiptar. Ishte e para herë që
çështja shqiptare ngrihej n'Evropë në një mënyrë të këtillë, me anën e një dërgate që
desh të përfaqësonte zyrtarisht Shqipërinë. Shqiptarët përbëjnë një komb prej
2.300.000 frymësh, me histori shumë të lashtë- thuhej në memorandumin-dhe se janë
të gjithë të bashkuar kundër lakmive të fqinjëvet dhe rrezikut që i kërcënon. Se ndën
autoritetin mprojtës, të Perandorisë Otomane, ata do të ruajnë me tërë forcën atdheun,
gjuhën dhe kombësinë e tyre. Se Shqipëria nuk duhej shikuar si një radhë krahinash
gjeografike nga të cilat mund të shkëputej njëra pa dëmtuar të tjerat. Qëkur Greqia
kishte dalë shtet më vehte, thekësonte memorandumi, helenizmi ishte përpjekur me të
gjitha mjetet dhe mënyrat për të pregatitur pushtimin e Epirit. Por kjo krahinë, me
limanet, tokat dhe kullotat e saja, kishte rëndësi jetësore për tërë Shqipërinë e jugës.
Shqiptarët ishin betuar të vdisnin që të gjithë përpara se t'i lëshonin Greqisë Janinën,
Prevezën, Artën e të tjera pjesë t'atdheut. Duke qëndruar në kuadrin e Perandorisë
Otomane, thoshte memorandumi, Shqiptarët kërkojnë të njihen si një kombësi e
veçantë me të gjitha të drejtat e tyre. Dhe përfundonte me një thirrje fuqivet të mëdha
që të mos iu mbyllnin Shqiptarëvet rrugën e përparimit, por t'i shikonin njëlloj si
kombësitë e tjera.

Siç shihet, memorandumi zgjatej mbi Epirin sepse deri atëhere nuk ishte marrë akoma
ndonjë vendim prej fuqivet të mëdha rreth asaj krahine, kurse fati i kufijvet të
Shqipërisë së veriut ishte vulosur prej Kongresit të Berlinit dhe s'mbetej veçse
mprojtja me armë për atë pjesë që po mbahej e padorëzuar, domethënë për Plavën e
Gucinë. Se çështja e Hotit e Grudës dhe pastaj e Ulqinit s'ishte hapur akoma n'atë
kohë.

Gjatë udhëtimit, Abdyl Frashëri u takua me ministrin frëng të Punëve të Jashtëme,


Waddington-in, dhe me të tjerë drejtonjës të diplomacisë evropiane. U përpoq t'ua
shpjegonte sa më mirë çështjen shqiptare. N'Itali pati pjekje të shumëta, se aty
Arbëreshët, me De Radën në krye, kishin zgjuar interes për punët e Shqipërisë. Një
rrymë liberalësh italianë mundohej të perkrahte në Ballkan idenë e një "konfederate"
për të penguar shtrirjen e Austro-Hungarisë. Por në këtë mes ishin Grekët ata që
përfitonin dhe kërkonin të delnin në krye duke e kthyer "konfederatën" në një lloj
panhelenizmi. Prandaj kur liberali italian, M.A. Canini, njeri politik i njohur, desh t'i
mbushte mendjen Abdyl Frashërit për të zhvilluar lidhje miqësore sa më të ngushta
me Greqinë, që kështu Shqiptarët të bënin pjesë në "konfederatën", ai u përgjigj: "Kjo
marrëveshje që më këshilloni është e pamundur. Grekët nuk i-njohin të drejtat tona;
ata na duan të nënshtruar dhe jo të barabartë".

Në Shqipëri, komitetet e qendrave të ndryshme kishin filluar të flisnin çiltas për


autonomi. Programi i saj, përcaktuar në mbledhjen e Frashërit, kish nisur të përhapej.
Komiteti Qendror i Stambollit punonte pranë qarqeve turke dhe ambasadave të huaja
në këtë drejtim. Sami Frashëri pat botuar në një gazetë turqisht parashikimin për
autonominë e Shqipërisë. Më 9 Korrik 1879, Komiteti i Stambollit i drejtoi Sulltanit
një shkresë me anën e së cilës kërkonte që jo vetëm të mos copëtohëshin tokat
shqiptare, po edhe të dekretohej një ligj organik i veçantë për qeverisjen e Shqipërisë.
Gjatë kësaj kohe, në Prizrend ishin bërë mbledhje disa herë. Një kuvend m'i gjerë u
mbajt në Tetor 1879, për të përballur kërkesat e Malit-të-Zi mbi Plavën e Gucinë. Në
këto mbledhje ishte biseduar edhe çështja e autonomisë duke u pështetur në programin
e Frashërit, dhe përfaqësonjësit e Shqipërisë së veriut e kishin pranuar, ndonëse nuk e
shihnin të gjithë në të njëjtën mënyrë. Një komision i posaçëm ishte dërguar në
Stamboll nga ana e Lidhjes, për t'i kërkuar Portës së Lartë bashkimin e të katër
vilajetevet me shkollat dhe administratën në gjuhën shqipe. Këtyre kërkesave, që
kishin filluar qysh në prendverën e vitit 1877, Porta e Lartë s'iu jepte pothuajse asnjë
përgjigje dhe punonte fshehtazi për t'i përçarë Shqiptarët përsa i përkiste kësaj ideje,
duke përdorur si vegla turkomanët, çifligarët dhe një pjesë të klerit mysliman.

Kërkesat shqiptare për autominë pështetëshin tani tek Neni 23 i Traktatit të Berlinit, i
cili e detyronte Turqinë që të zbatonte për Kretën rregulloren e autonomisë të
parashikuar më 1868 dhe të formonte komisione të veçanta, me pjesëmarrjen e
vendasvet, për t'iu siguruar krahinave të tjera n'Evropë, sipas nevojavet të secilës, nga
një rregullore te përshtatshme administrative.

Kongresi i Berlinit ishte treguar i pashpirt kundrejt Shqiptarëvet duke mos i përfillur
fare si komb dhe duke e shikuar Shqipërinë si një krahinë thjeshtësisht gjeografike. E
vetëmja çështje që u përmend në Kongres në lidhje me Shqipërinë, ishte ajo e
"privilegjeve të Mirditës". Edhe kjo u shtyt nga Austria por u përkrah nga Franca, dy
shtete me "ndjenja" katolike fort të zjarrta kur ishte puna për të siguruar ndonjë bazë
ndërhyrjeje të mëtejshme. Se pikërisht ky ishte qëllimi i Austrisë, t'a kishte Mirditën si
një bazë ndërhyrjesh të mëvonshme për llogaritë e saja. Përfaqësia turke e kundërshtoi
këtë propozim, por më në fund u shpreh se "Porta e Lartë nuk mendonte hëpërhë të
bënte ndonjë ndryshim në gjendjen e malësisë së Mirditës", e cila gëzonte disa të
drejta.

Nga të huajtë që e njihnin mirë përbërjen ethnike të Ballkanit, vetëm ndonjë i rrallë
mendonte dhe fliste siç ishte e vërteta. Ambasadori i Anglisë në Stamboll, Goschen, e
kishte kuptuar se lëvizja shqiptare nuk ishte një manevër e drejtuar prej Turqvet. Në
një raport që i dërgonte ministrit të Punëve të Jashtëme, në Londër, thoshte: "Po të
krijohej një Shqipëri e fortë, pakësohëshin edhe shkaqet që mund të gjente ndonjë fuqi
e jashtëme për pushtime tokash në rast se do të shkatërrohej Perandoria Otomane. Një
Shqipëri e bashkuar do t'ia priste rrugën çdo hyrjeje nga veriu, dhe gadishulli
ballkanik do të mbetej në zotërim të racavet që e banojnë ... Mendoj se, për aq sa do të
mëkëmbej kombësia shqiptare, do të zvogëlohëshin edhe mundësitë e një ndërhyrjeje
evropiane në gadishullin ballkanik". Në një letër tjetër që i drejtonte ministrit të
Punëve të Jashtme, Lordit Granville, ambasadori Goschen thoshte se Shqiptarët ishin
një racë e vjetër, që dallohëshin nga çdo pikëpamje prej racavet fqinjë, dhe se po
shikonin me hidhërim që të drejtat e tyre si komb qenë shkelur, toka të banuara prej
tyre u qenë dhënë shtetevet që përkrahëshin nga fuqitë e mëdha. etj. Shtonte gjithashtu
se nuk duhej penguar bashkimi i krahinavet shqiptare në një tërësi autonome, se
çështja e kufijve të Turqisë me Greqinë dhe Malin-e-Zi nuk mund të zgidhej pa
luftime po të mos kënaqëshin edhe dëshirat e ligjeshme të Shqiptarëvet, se kombësia
shqiptare ishte një element që s'duhej lënë jashtë në çdo rregullim t'ardhshëm politik.
Sipas mendimit të Goschen-it, krijimi i një Shqipërie të vërtetë mund t'a zgidhte
problemin e Lindjes, se nuk do të linte shtek të hapët për një ndërhyrje të Rusisë ose
t'Austro-Hungarisë në Ballkan.

Mendimet e ambasadorit Goschen patën filluar t'i hynin në kokë edhe Kryeministrit
liberal britanik, Gladstone, i cili erdhi në fuqi më 1880, pas qeverisë së Lordit
Beaconsfield. Gladstone-i e pati përmendur mundësinë e krijimit të një Shqipërie të
pavarur ose autonome, e cila do të shtrihej nga juga gjer në lumin Kallama t'Epirit.
Sikur t'a kishte pasur edhe Austro-Hungaria atë mendim, Shqipëria do të kishte dalë
ndoshta si një shtet i pavarur ose autonom që atëhere. Por Austro-Hungaria nuk donte
n'atë kohë formimin e një shteti shqiptar, i cili mund t'i delte nga dora dhe të hynte
nën mprojtjen e tjetërkujt, gjersa ajo s'i kishte bërë akoma të sajat Bosnjën dhe
Herzegovinën. Prandaj u interesua vetëm për qarkun e Shkodrës, ku mendonte se
mund të formonte një bazë me Shqiptarët katolikë. Kurse pjesët e tjera të Shqipërisë,
sipas politikës austriake t'asaj kohe, duhej të mbetëshin nën Turqinë, si një rezervë për
zgjerimin e mëvonshëm t'Austro-Hungarisë. Kjo u kuptua haptazi në verën e vitit
1880, kur E. Fitzmaurice përfaqësonjësi anglez në Komisionin e Rumelisë Lindore
caktuar nga Traktati i Berlinit, propozoi krijimin e një Shqipërie të madhe që të
përmblidhte tokat e të katër vilajetevet të banuara prej Shqiptarëvet. Këtë propozim,
përveç të tjerëvet, nuk e përkrahu as Austro-Hungaria.

Kundërshtimi i Shqiptarëvet kishte penguar që të zbatoheshin pikë për pikë vendimet


e Berlinit. Mali-i-Zi kërkonte dorëzimin e Plavës e të Gucisë, dhe pregatiti ushtërinë
për t'i pushtuar me forcë nëqoftëse nuk do t'i jepeshin gjer në Dhjetor 1879. Po edhe
Shqiptarët nga anë e tyre mblodhën një fuqi prej 8.000 vetash nën kumandën e Ali
Pashë Gucisë, për t'i bërë ballë rrezikut. Mareshali turk Myftar Pasha, i ngarkuar për
dorëzimin e atyre krahinave, nuk mundi, nga frika e një përpjekjeje me Shqiptarët.
Mali-i-Zi i dha urdhër ushtërisë që t'i pushtonte. Shqiptarët i vunë pushkën, dhe mbas
disa luftimeve të përgjakshme ushtiria malazeze prej 12.000 vetash u thye. Këto
ngjarje kishin çuar peshë tërë Shqipërinë, e cila e ndjente tani si pjesë të sajnë çdo çip
t'atdheut.

Diplomacia evropiane u vu prapë në lëvizje për t'i gjetur një zbërthim këtij problemi.
Rusia propozoi që t'i jepej Malit-të-Zi një copë nga Herzegovina, por këtë mendim e
kundërshtoi Austro-Hungaria, e cila e donte për vehte Herzegovinën. Atëhere, me
pështëllitjen e Portës së Lartë, përfaqësonjësi Italian Kont Corti propozoi që t'i
jepëshin Malit-të-Zi, në vend të Plavës dhe Gucisë që banohëshin prej Shqiptarësh
myslimanë, Hoti, Gruda dhe Kelmendi që banohëshin prej Shqiptarësh në shumicë
katolikë. Mendimi ishte se këta nuk do t'a kundërshtonin bashkimin me Malin-e-Zi të
krishter. Ky propozim u pranua dhe u nënshkrua prej Turqisë dhe Malit-të-Zi më 12
Prill 1880. Por Shqiptarët e hodhën poshtë me përbuzje. Myslimanë e Katolikë u
treguan më të bashkuar se kurrë për të mprojtur truallin e tyre stërgjyshor dhe për t'ua
prerë shkurt intrigavet të jashtëme qe kërkonin t'i ndanin nga ana fetare. Kjo qyshkë e
shtoi zemërimin kundrejt Portës së Lartë që po i përdorte krahinat shqiptare si plaçkë
tregu dhe forcoi radhët e atdhetarëvet që kërkonin autonominë. Në degët e Lidhjes së
Prizrendit, sidomos në Gjakovë, po delnin në krye njerëzit e fortë duke i mënjanuar
turkomanët dhe feudalët e lëkundshëm.

Në fillim të Prillit 1880, u bë një mbledhje e madhe në Shkodër, ku muarën pjesë


krerët e qytetit dhe të malësivet. U zgjodh një Komitet i Mprojtjes prej dymbëdhjetë
vetash, myslimanë e katolikë, me kryetar Hodo Beg Sokolin dhe nënkryetar Prenk Bib
Dodën. Komiteti i Shkodrës u vu në lidhje me qytetet e Kosovës, me të gjitha malësitë
e veriut dhe me krahinat e largme të Shqipërisë duke iu bërë thirrje për vullnetarë.

Kur më 22 Prill 1880, sipas marrëveshjes, ushtëria turke u tërhoq prej Hotit, Grudës
dhe Kelmendit për t'ia lëshuar Malit-të-Zi, forcat shqiptare ishin gati dhe i zunë ato
vende. Kur ushtëria malazeze, e kumanduar prej Mark Milanit, provoi të kalonte
kufirin, malësorët e pritën tek Ura e Rrzhanicës edhe i ranë. Pas disa humbjeve,
Malazeztë u prapsën dhe u tërhoqën në Podgoricë. Kjo fitore e dytë e Shqiptarëvet i
bëri fuqitë e mëdha t'a kuptonin mirë se Lidhja Shqiptare ishte një forcë e vërtetë me
të cilën duhej llogaritur, dhe jo një krijesë e Turqisë, siç e kishin pandehur më përpara.
Komiteti i Shkodrës mori në dorë pothuajse qeverimin e vendit dhe zuri t'i mblidhte ai
taksa e të dhjeta. Dërgoi njerëz deri në Manastir, Vlorë, Gjirokastër, Janinë e Prevezë
për të mbledhur ndihma në të holla, të cilat nevojitëshin për të mbajtur ushtërinë. Pas
tërheqjes së Malazezvet, forcat shqiptare rreth 12.000 vetash u grumbulluan në Tuz
dhe zunë anën e majtë të lumit Cem.

Pritej tani se ç'do të bënin fuqitë e mëdha, të cilavet Komiteti i Shkodrës iu drejtoi një
memorandum për të protestuar përsëri kundër copëtimit të krahinavet shqiptare dhe
për të kërkuar që t'i njihëshin edhe Shqipërisë ato të drejta që iu ishin njohur popujve
të tjerë. Mbasi n'Angli kishte ardhur në fuqi një qeveri liberale me W.E. Gladstone-in
kryeministër, Komiteti i Shkodrës i dërgoi edhe këtij një telegram duke i kërkuar që të
zbatohej edhe për Shqipërinë parimi i kombësivet.

Ndërsa në veri qëndronte i hapur kundërshtimi i kufijvet me Malin-e-Zi, në jugë mori


përseri valë çështja e Epirit. Bisedimet e ndërprera greko-turke u rifilluan në Stamboll
më 23 Gusht 1879, me ndërmjetësinë e ambasadorëvet të fuqivet të mëdha, edhe
vazhduan disa muaj por nuk dhanë asnjë përfundim. Grekët nisën kërcënimet me anën
e çetavet, disa nga të cilat zbritën edhe në Himarë, por u shtrënguan të largohëshin
shpejt. Në gjysmën e Qërshorit 1880, me propozimin e Anglisë, u mblodh në Berlin
Konferenca e Ambasadorëvet të fuqivet të mëdha për t'iu gjetur mënyrën e zbatimit
vendimevet të Kongresit që kishin mbetur varur. Aty u shikua edhe çështja e kufijvet
greko-turke. Shqiptarët u çuan peshë me protesta. Nga të gjitha qytetet e Shqipërisë
jugore, prej Beratit gjer ne Prevezë, sikurse edhe nga Veriu, iu dërguan Konferencës
telegrame për të mos i lëshuar Greqisë toka shqiptare. Një protestë i drejtoi edhe
Komiteti Qendror i Stambollit, në të cilën kërkonte që fqinjët të hiqnin dore nga
synimet dhe rrëmbimet kundrejt vendit tonë. Konferenca, e Ambasadorëvet mendoi t'a
ndante çështjen duke i propozuar Greqisë gjysmën e Çamërisë, të cilën ajo e pranoi
menjëherë, por Turqia nguli këmbë që s'mund t'ia lëshonte mbasi kjo krahinë banohej
prej Shqiptarësh dhe këta nuk shtrohëshin pa luftë. Ministri i Punëve të Jashtëme të
Turqisë, Abedin Pashë Dino, të cilin Sulltani e pat emëruar me qëllim n'atë kohë, ishte
vetë Shqiptar prej Çamërie dhe bëri një kundërshtim të rreptë. Shqiptarët e mbajnë
vehten si një racë e veçantë dhe jo më pak e rëndësishme nga kombësitë e tjera të
Perandorisë, shtonte nota turke, dhe Janinën e kanë shikuar gjithmonë si kryeqytetin e
Shqipërisë jugore. Prova ishte se edhe Waddington-i vetë, ministri frëng i Punëve të
Jashtëme, kishte ndërruar mendim duke e përjashtuar Janinën dhe Çamërinë prej
vëndevet që i duhëshin dhënë Greqisë, sepse parashikonte ngatërresat që mund të
delnin nga qëndresa e mirënjohur e Shqiptarëvet.

Mbasi Konferenca e Ambasadorëvet nuk mori dot ndonjë vendim detyronjës kundrejt
Turqisë, Grekët provuan përsëri të vepronin gjoja me anën e forcës dhe shkarkuan
armë në disa pika t'Epirit për t'organizuar çeta. Shqiptarët nuk u trembën nga këto
profka dhe filluan të pregatitëshin për luftë. U bënë mbledhje në shumë qendra, prej
Beratit gjer në Janinë, dhe populli u tregua i vendosur për qëndresë. U pregatitën listat
për forcat që do të çohëshin më këmbë, të cilat parashihej t'arrinin në 70.000 veta. U
caktuan kumandarët. Abdyl Frashëri ishte vazhdimisht në lëvizje për të bindur
turkomanët e lëkundshëm se Grekëve iu duhej qëndruar edhe kundër vullnetit të
Turqisë, nëqoftëse kjo do të shtrëngohej prej fuqive të mëdha që të lëshonte pjesë
t'Epirit. Të këtij mendimi ishin edhe baballarët bektashinj, që po e shtynin popullin
për qëndresë. Orthodoksit, për të cilët nuk parashihej që të shkonin në luftë, do të
ndihmonin me të holla. Disa prej tyre, si Petro Meksi dhe Vasil Hidua nga
Gjirokastra, Mihal Haritua nga Zagoria, Dhimitër Kolea nga Berati, Llazaraq Luivano
nga Përmeti etj., u treguan antarë të gjallë të Lidhjes. Natyrisht, Abdyl Frashëri me
shokë s'bënin dallim ndërmjet Myslimanëvet dhe Orthodoksvet të cilët i shikonin të
gjithë si vëllezër Shqiptarë. Edhe Komiteti i Lidhjes së Shkodrës çoi fjalë se ishte gati
të dërgonte fuqi në jugë për të mprojtur vendin kundër Grekëvet, nëqoftëse ata do të
kapërcenin kufijt. Kështu Lidhja Shqiptare po tregohej m'e fortë nga ushtëria turke
dhe po zëvendësonte autoritetin e Portës së Lartë.

Duke parë vendosmërinë dhe gatitjen e Shqiptarëvet, Grekët nuk guxuan të shtyheshin
në një ndeshje me armë, por vazhduan të kërkonin përkrahjen e fuqivet të mëdha, të
cilat ishin ngatërruar keq në këtë çështje. Ambasadorët e tyre në Stamboll kërkuan
përsëri nga Turqia, në Shkurt 1881, rregullimin e kufijvet me Greqinë. Qeveria turke
vinte gjithnjë si arësye kundërshtimin e Shqiptarëvet. Bismarck-u bëri një propozim
tjetër: që Greqisë t'i jepej Kreta në vend t'Epirit. Rusia e përkrahu këtë mendim,
ndoshta sepse donte t'a shtynte Greqinë drejt ishujvet, për t'ua lënë si një fushë të
hapët Sllavëvet kontinentin Ballkanik. Po edhe ky propozim u hodh poshtë. Grekët u
munduan edhe një herë të ngrinin çeta, por s'bënë dot gjë. Më në fund Turqia bashkë
me Konferencën e Ambasadorëvet vendosën, më 24 Maj 1881, që Greqisë t'i jepej,
n'Epir, vetëm qyteti i Artës me rrethin e tij. Kështu u mbyll përkohësisht grindja e
kufijvet ndërmjet Shqiptarëvet dhe Grekëvet.

Ndër mbledhjet që u bënë në Toskëri për të kundërshtuar kërkesat e Greqisë, m'e


rëndësishmja ka qënë ajo e Gjirokastrës, më 23 Korrik 1880, në të cilën muarën pjesë
përfaqësonjës nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga juga e nga veriu, Myslimanë e të
Krishterë, si në një kuvend të përgjithshëm kombëtar. Mbledhja u organizua me
përpjekjet e Abdyl Frashërit, i cili parashtroi programin e autonomisë q'e kishte
pregatitur nja dy vjet më parë. Sipas mendimit t'Abdylit dhe t'atdhetarëve të tjerë, tani
ishte koha për t'a vënë në zbatim, se Turqia ndodhej në një gjendje aq të vështirë sa që
s'mund të ndërhynte dot ushtarakisht. Lidhja Shqiptare duhej të merrte në dorë
administratën e vendit në të gjitha qytetet dhe krahinat, sepse ishte mjaft e fortë.
Komiteti i Shkodrës po i mbante akoma në këmbë fuqitë e armatosura; në veri ishte
dhënë prova e vepërimit kundër Turqvet. Mirëpo një pjesë e antarëvet të mbledhjes,
çifligarë të frikshëm ose turkomanë të lëkundshëm, megjithëse e pranonin kërkimin e
autonomisë, nuk ishin të mendimit për një vepërim të shpejtë. Sipas këtyre, duhej
pritur një kohë m'e volitshme. Kështu u çfaqën të dy rrymat. Por më në fund, me
përpjekjen e atdhetarëvet, mbledhja mori vendimin që programi i autonomisë të vihej
menjëherë në zbatim porsa tokat shqiptare të sulmohëshin prej ndonjë armiku nga
veriu ose nga juga. U vendos gjithashtu që të shkonin fuqi prej veriut në jugë ose prej
jugës në veri, sipas rrezikut dhe nevojavet që do të paraqitëshin. Ky ishte një vendim
shumë i rëndësishëm për bashkimin kombëtar. Në zhvillimin e mëvonshëm të
ngjarjevet, Sami Frashëri i shkruante De Radës një letër nga Stambolli, më 20 të
Shkurtit 1881, ku, përveç të tjeravet, e lajmëronte me gëzim se dhjetë mijë Shqiptarë
t'armatosur ishin gati të shkonin prej veriut në jugë. Ky ishte m'i bukuri sihariq n'atë
kohë.

Mbledhja e Gjirokastrës shënon një datë historike në lëvizjen kombëtare, sepse aty u
përfaqësua dhe u bashkua e tërë Shqipëria për të kërkuar autonominë. Disa krahina të
veriut që s'mundën të dërgonin njerëz, e dhanë pëlqimin e tyre me telegrame.

Deri atëhere Perandoria Otomane kishte përdorur të gjitha rnjetet për t'i mbajtur
Shqiptarët të ndarë e të përçarë, që t'i sundonte më lehtë dhe ata t'i shërbenin si një
forcë ushtarake, pa lidhje midis tyre. Shkollat shqipe ishin rreptësisht të ndaluara, për
të mos zgjuar vetëdijën kombëtare. Myslimanët duhej të ndiqnin shkollat turqishte dhe
Orthodoksit shkollat greke. Tokat dhe popullsia e Shqipërisë ndahëshin në katër
vilajete, ku zakonisht qeveritarët e lartë ishin turq. Në këto kondita, çdo bashkim ishte
i pamundur. Dekreti i vitit 1856 (Hat-i Humajun) që iu njihte të drejtën e arësimit në
gjuhën e tyre gjithë popujve të Perandorisë, nuk u zbatua për Shqiptarët. Kjo donte të
thoshte se këta nuk shikohëshin si një komb, por si myslimanë ose të krishterë (si
Turq ose si Grekë). Shqiptarët e mësuar e dinin dhe e shihnin se ç'ngjante n'Evropën e
atëhershme dhe tek popujt ballkanas. E kuptonin gjithashtu se Perandoria Otomane do
të përmbysej një ditë, e cila nuk ishte fort e largët. Nuk donin që të varrosej edhe
Shqipëria në gërmadhat e asaj. Prandaj e mendonin edhe e donin megjithëshpirt
pavarësinë kombëtare, por kjo nuk mund t'arrihej menjëherë: duhej kaluar nëpër
autonominë brenda kuadrit të Perandorisë Otomane, ashtu siç kishin bërë Serbët,
Rumunët dhe po bënin Bullgarët, të cilët patën dalë me parë si principata autonome të
varura nga Sulltani. Ky ishte qëllimi i memorandumit që mbledhja e krerëve të
Shqipërisë jugore, në Janinë, i pati drejtuar Portës, që në prendverën e vitit 1877, duke
lypur bashkimin e të gjitha tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm, me shkollat,
administratën dhe gjyqet në gjuhën shqipe.

Programi i autonomisë (ose i vetqeverisjes) shqiptare, i hartuar në Frashër, i pëlqyer


nga Komiteti Qendror i Stambollit, i pranuar prej një mbledhjeje të mëparshme në
Prizrend, dhe që u vendos më në fund në Gjirokastër, parashihte bashkimin e të katër
vilajetevet (i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe i Kosovës) në një tërësi të vetëme
që do të quhej "Shqipëri" dhe do të kishte për kryeqytet Ohrin. Të gjithë Shqiptarët,
pa dallim feje a krahine, do të kishin të drejta të barabarta dhe do të mësonin në
shkolla shqipe, në gjuhën amtare, e cila do t'ishte edhe gjuha zyrtare. Pjesa m'e madhe
e t'ardhuravet do të prishej për zhvillimin dhe rindërtimin e vendit. Administrata,
gjyqet, arësimi, financat, ushtëria do t'ishin në duart e Shqiptarëvet. Vetëm qeveritari i
përgjithshëm i Shqipërisë do t'emërohej prej Sulltanit. Shqipëria nuk do të kishte
detyrim tjetër kundrejt Portës së Lartë veçse pagesën e një tributi të përvitshëm dhe
ndihmën ushtarake në raste lufte. Natyrisht, në të gjitha shkallët e administratës dhe
t'ushtërisë të Krishterët do të merrnin pjesë me të njëjtat të drejta si Myslimanët dhe
barasia midis fevet do t'ishte e plotë.

Autonomia (ose vetqeverisja) do t'ishte çapi i parë drejt pavarësisë kombëtare. Gjatë
kohës që do të vazhdonte autonomia, do të krijohëshin forcat e duhura, ngritja e
kulturës, bashkimi shpirtëror, lidhjet e brendëshme dhe të jashtëme për t'a bërë
Shqipërinë shtet të pavarur.

Rasti për t'a vënë në zbatim programin e autonomisë, siç kishte vendosur mbledhja e
Gjirokastrës, erdhi menjëherë kur Turqia, e shtrënguar prej Fuqive të mëdha, pranoi t'i
lëshonte Malit-të-Zi Ulqinin në vend të Hotit dhe të Grudës.

Fuqitë e mëdha, sidomos Anglia dhe Austro-Hungaria, kishin interes t'i mbyllnin sa
më shpejt grindjet e hapura në Ballkan nga Traktati i Berlinit, për të mos shkaktuar
ndërlikime të tjera. Austro-Hungaria donte që të shuhëshin sa më parë dy vatrat e
lëvizjes shqiptare në Shkodër e në Kosovë, të cilat ishin shumë afër Bosnjës dhe
Herzegovinës ku iu ndihej afshi. Përpara se të mblidhej në Berlin Konferenca e
Ambasadorëvet më 16 Qërshor 1880, Konsulli i Anglisë në Shkodër, Green, dhe ai i
Austro-Hungarisë, Lippich, kishin bërë një plan për t'i dhënë Malit-të-Zi, në vend të
Hotit e të Grudës që s'i mori dot, një krahinë tjetër ndërmjet liqenit të Shkodrës dhe
detit Adriatik, e cila të përfshinte Ulqinin dhe rrethin e tij gjer te gryka e Buenës. Për
të qetësuar Shkodrën dhe malësitë, agjentët anglezë e austriakë iu premtuan
autonominë vilajetit të Shkodrës dhe privilegje malësivet katolike. Njëkohësisht
Austria filloi nga intrigat fetare dhe ndonjë pagesë bajraktarëvet, duke u munduar të
ndante Katolikët prej Myslimanëvet. Fuqitë e mëdha e pranuan planin e dy konsujvet
dhe, më 26 Qërshor, i propozuan Portës së Lartë që t'i lëshonte Malit-të-Zi Ulqinin me
rrethet dhe të gjente mënyrën për t'i dhënë një farë autonomie vilajetit të Shkodrës.
Kryeministri britanik Gladstone, me një cinizëm të neveritshëm, e përdori lëvizjen e
Shqiptarëvet si një mjet shtrëngimi kundrejt Sulltanit, duke i lënë të kuptonte qeverisë
turke se Anglia i dinte dhe mund t'i përkrahte "dëshirat e nxehta të Shqipërisë për
autonomi" nëqoftëse Porta e Lartë nuk i lëshonte Malit-të-Zi Ulqinin. Humbja e këtij
limani të rëndësishëm, që vinte në rrezik edhe sigurimin e Shkodrës, ishte e dëmshme
për Turqinë, por sidomos një gjymtim i rëndë për Shqipërinë. Shkodra ishte fort e
lidhur me Ulqinin, prandaj, me gjithë intrigat e Austrisë dhe qëndrimin e lëkundshëm
të disave, të shumtët e Shkodranëvet u treguan të vendosur që t'a mpronin me armë
dhe iu drejtuan ambasadorëvet në Konfereneën e Berlinit një protestë të rreptë; në-të
cilën shtonin se Ulqini, në duart e Malit-të-Zi, do t'i vlente si një bazë Rusisë për
pushtime të mëtejshme. Degët e Lidhjes n'Ulqin e në Shkodër po pregatitëshin për
qëndresë, e iu bënë thirrje për ndihmë krahinavet të Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë.

Fuqitë e mëdha i drejtuan Portës së Lartë tri nota njërën pas tjetrës dhe i kërkonin
përgjigjen deri më 23 Gusht 1880. Njëkohësisht vendosën të bënin një demonstratë
me luftanijet e tyre përpara bregdetit shqiptar për të trembur njëheresh Shqiptarët dhe
Turqinë. Porta e Lartë nuk po tundej prej këtyre kërcënimeve dhe vinte gjithnjëj
përpara si arësye kundërshtimin e Shqiptarëvet. Sipas dëshmive t'ambasadorëvet të
Francës, të Gjermanisë dhe t'Austro-Hungarisë në Stamboll, n'atë kohë, Porta nuk
ishte në gjendje të bënte gjë kundër vullnetit të Lidhjes Shqiptare dhe druante më
tepër kryengritjen e Shqiptarëvet se sa demonstratën e flotës ndërkombëtare. Në Javën
e parë të Shtatorit, një skuadër luftanijesh ndërkombëtare, nën kumandën e admiralit
anglez B. Seymour, kaloi përpara bregdetit shqiptar dhe u mblodh në Dubrovnik.
Porsa u muar vesh kjo Ulqinakët iu dërguan një protestë fuqivet të mëdha, ku iu
thoshin që s'i lidhte asgjë me Malin-e-Zi, të cilit nuk do t'i shtrohëshin kurrë për pa u
zhdukur me gjithë qytetin nga faqja e dheut. Shkodra dërgoi menjëherë fuqi
t'armatosura, të cilat zunë kodrat përmbi Ulqin dhe u vunë të hapnin llogore. Në të
njëjtën kohë po vinin vullnetarë nga malësitë e veriut dhe nga Kosova. Turqia, e
shtrënguar, dërgoi në Gusht Riza Pashën në Shkodër, me urdhër që t'ia dorëzonte
Ulqinin Malit-të-Zi por mundësisht pa ardhur në përpjekje me Shqiptarët. Porta e
Lartë donte t'a përdorte akoma Lidhjen Shqiptare si një fuqi, sidomos kundrejt
Greqisë, ku Turqia rrezikohej të humbiste një pjesë të mirë të vendit. Prandaj u përpoq
të përçante vetëm Shkodrën me malësitë duke paguar edhe të holla djathtas e majtas.
Të njëjtën gjë vazhdonin agjentët e Austrisë dhe t'Anglisë duke i premtuar vilajetit të
Shkodrës autonominë. Riza Pasha, i zënë ngushtë prej Shqiptarëvet, jo vetëm që s'bëri
dot gjë për dorëzimin e Ulqinit, por e shpalli se do t'iu binte Malazezvet nëqoftëse ata
do të provonin të hynin në qytet. Kjo sjellje e Riza Pashës bëri bujë, se dukej sikur
Turqia punonte me dy faqe. Shtypi rus u çua kundër Shqipërisë. Më 28 Shtator, flota
ndërkombëtare me 20 anije lufte dhe 138 topa u duk n'ujrat e Ulqinit. Kumandari i saj
e kishte bërë planin e demonstratës dhe të pushtimit të qytetit, por fuqitë e mëdha
donin që Ulqini te dorëzohej prej vetë Turqisë. "Është një nder i madh për qytetin tonë
të vogël që të sulmohet nga flota ndërkombëtare, shpallën Ulqinakët, por ne do të
qëndrojmë gjer në fund". Fuqitë e mëdha kishin rënë ngushtë sepse, edhe sikur t'ia
dorëzonin Ulqinin Malit-të-Zi, ai s'ishte i zoti t'a mbante përsa kohë që Lidhja
Shqiptare qëndronte në këmbë. Shqipëria e bashkuar ishte shumë m'e fortë nga Mali-i-
Zi. Një mendim i Anglezëvet, që kumandari i flotës të merrej vesh drejtpërdrejt me
udhëheqësit shqiptarë, u kundërshtua prej Austrisë, e cila nuk donte që Lidhja
Shqiptare të njihej tërthorazi si një përfaqësi zyrtare prej fuqive të mëdha.
Kryeministri i Anglisë, Gladstone, si një nga mundësitë e zgidhjes së problemit pati
parashikuar që "fundi i fundit t'i jepej Shqipërisë deri në lumin Kallama një formë
pavarësie". Por qeveria britanike vendosi, më 30 Shtator, t'iu propozonte fuqive të
tjera që flota ndërkombëtare të pushtonte Izmirin, nëqoftëse Turqia nuk i shtronte
nënshtetasit e saj (Shqiptarët) për t'i lëshuar Ulqinin Malit-të-Zi.

Frika e pushtimit t'Izmirit, ku nxirëshin t'ardhurat doganore më të mëdha të


Perandorisë, e bindi Turqinë se çështja e Ulqinit s'mund të vazhdonte më gjatë, dhe u
përgjigj se do të merrte masat për t'a dorëzuar menjëherë. Ia ngarkoi atë barrë Dervish
Turgut Pashës, të cilin e nisi për në Shqipëri me 13.000 ushtarë dhe me artileri
fushore. Njëkohësisht Sulltani largoi nga Ministria e Punëve të Jashtëme Abedin
Pashë Dinon, i cili, si Shqiptar, e kishte hequr xvarrë çështjen e Ulqinit. Këtë radhë
Porta e Lartë vendosi t'a shtypte Lidhjen Shqiptare dhe vuri në lëvizje agjentët e saj në
Shqipëri.

Sipas vendimevet që ishin marrë në mbledhjen e Gjirokastrës, atdhetarët menduan se


tani kishte ardhur koha për t'a vënë në zbatim me forcë programin e autonomisë.
Prandaj thirrën një kuvend në Dibër, më 20 të Tetorit, ku përveç atdhetarëvet, kishin
ardhur shumë feudalë e turkomanë nga Shqipëria e Mesme dhe e Veriut. Këtu dolli
sheshit mosmarrëveshja ndërmjet atyre që kërkonin autonominë e Shqipërisë me çdo
kusht dhe të tjerëvet që s'donin të ndahëshin nga Turqia. Besnikët e autonomisë
propozuan që kjo të shpallej menjëherë, që të çohëshin më këmbë të gjitha forcat e
vendit për t'iu rënë ushtërivet turke në Shkodër e n'Ulqin dhe për t'iu prerë rrugën
atyreve që po vinin me Dervish Turgut Pashën. Por mbledhja u ça më dysh: në
krye t'autonomistëvet qëndronin Ali Pashë Gucija, Iljaz Pashë Dibra dhe Hasan Pashë
Tetova. Kurse anën e mosndarjes nga Turqia e kryesonin Sadik Pashë Dibra dhe
Xhemal Pashë Zogolli nga Mati. Këta kundërshtonin edhe dërgimin e fuqivet për të
mprojtur Ulqinin, edhe shpalljen e autonomisë. Nuk donin të prishnin interesat e tyre
me Turqinë, tani që ajo kishte vendosur t'ia lëshonte Ulqinin Malit-të-Zi. Çështja u vu
në votë, por turkomanët fituan shumicën. Megjithatë, ana e besnikëvet të Lidhjes mori
një vendim të prerë, në të cilin kërkonte autonominë e Shqipërisë, dhe e dërgoi në
Stamboll me një përfaqësonjës. Nëqoftëse Porta e Lartë nuk do t'ua jepte Shqiptarëvet
autonominë, ata do t'a shpallnin vetë-thoshte vendimi.

Sidoqoftë, përçarja në mbledhjen e Dibrës e dobësoi Lidhjen Shqiptare, e la të lirë


ardhjen e Dervish Pashës me një ushtëri të re, i theu guximin Shkodrës dhe e bëri të
mundshëm dorëzimin e Ulqinit.

Mareshali Dervish Turgut Pasha arriti në Shkodër në fillim të Nëntorit, i veshur me


fuqi të plota, dhe mori nën kumandën e tij trupat e Riza Pashës. Njoftoi se Ulqini do të
dorëzohej, e i dha urdhër Komitetit Shqiptar të Shkodrës që të hiqte vullnetarët dhe të
shpërndahej. Ngjarjet në mbledhjen e Dibrës e kishin tronditur moralin e
Shkodranëvet. Një pjesë e vullnetarëvet kishte filluar t'ikte. Agjentët e Austrisë ishin
munduar t'a mënjanonin Prenk Bib Dodën. Dervish Pasha nisi t'afronte Hodo Begun, i
cili në këtë kohë ishte bërë pashë. Megjithëse gjendja dukej e çthurur dhe vendimi i
Portës i pakthyershem, Ulqinakët dhe shumica e Shkodranëvet ishin të vendosur për
qëndresë. Një Komitet i ri u formua në Shkodër, prej myslimanësh dhe katolikësh, i
cili jo vetëm nuk i luajti nga kodrat e Ulqinit fuqitë e armatosura që kumandohësnin
prej Isuf Sokolit, por filloi të dërgonte te tjera. Kurse Mehmet Gjyli dhe Mehmet Beci
nga Ulqini kumandonin vullnetarët e atij qyteti. Myderrizi Sali Hylja ua shpalli
botërisht Shkodranëvet myslimanë se, sipas fesë islame, nuk ishte mëkat por detyrë e
shënjtë që të luftonin për mprojtjen e atdheut edhe kundër Sulltanit-Kalif. Në një
telegram që iu dërgonin konsujve të fuqive të mëdha në Shkodër, Ulqinakët e tregonin
çiltas se do të luftonin edhe kundër Turqvet. "...Kemi vendosur të gjithë, pa dallim
feje, të qëndrojmë me armë në dorë kundër kujtdo, mysliman a çfarëdo qoftë, për të
mprojtur qytetin tonë...".

Fuqitë turke u vunë në lëvizje drejt Ulqinit më 20 Nëntor. Më 22, u nis Dervish Pasha
vetë me pjesën më të madhe t'ushtërisë duke shkuar nëpër grykën e Mozhurës. Por aty
ndeshi në forcat shqiptare që hapën zjarr kundër Turqvet. Përpjekja m'e ashpër u bë
afër katundit Kleshë, ku mbetën mjaft të vrarë nga të dy anët. U plagos rëndë edhe
kumandari i Shkodranëvet, Isuf Sokoli, i cili vdiq mbas pak ditësh. Pas ngjarjevet të
Gjakovës, kjo ishte e dyta herë që Lidhja Shqiptare po gjakosej me Turqit. Me fuqitë e
shumta dhe me artilerinë Dervish Pasha e theu qëndresën e pak mijave vullnetarësh,
hyri n'Ulqin dhe ia dorëzoi qytetin Malit-të-Zi, në fund të Nëntorit 1880.

Pastaj Dervish Pasha u vu të shkatërronte Komitetin e Shkodrës, që ishte degë e


Lidhjes së Prizrendit. duke kapur disa nga krerët më të rëndësishëm, sidomos Hodo
Pashën dhe Prenk Bib Dodën, të cilët i dërgoi në mërgim sepse nuk iu besonte më.

Me dorëzimin e Ulqinit, që kishte mbajtur në lëvizje fuqitë e mëdha gjatë pesë


muajve, mori fund për n'atë kohë çështja e kufijvet me Malin-e-Zi. Po kur u përcaktua
vija kufizore, e cila ishte shënuar prej Traktatit të Berlinit pa asnjë kriter ethnik e
topografik, malësorët e Kastratit, të Hotit, të Grudës dhe të Shkrelit u përpoqën përsëri
me armë kundër Malazezvet, në Maj 1883, për të mprojtur caqet e tyre përpara
Komisionit ndërkombëtar.

Humbja e Ulqinit e tronditi thellësisht Lidhjen Shqiptare. U kuptua se një pjesë e


feudalëvet të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut si edhe një pjesë e klerit mysliman
kishin qënë për mprojtjen e kufijvet përsa kohë që ky vepërim përputhej edhe me
interesat e Turqisë. Po kur e panë se me Turqinë duhëshin ndarë punët njëherë e mirë,
nuk deshën t'arrinin deri në shkëputje. Kështu dolli në shesh përçarja e brendëshme
ndërmjet atdhetarëvet dhe turkomanëvet. Këta të fundit kishin interes pozitash dhe
çifligjesh - ose edhe çështje ndjenjash - që të qëndronin të lidhur me Turqinë. Kjo
çarje shkaktoi humbjen e Ulqinit të cilin Shqiptarët, sikur të kishin qënë të bashkuar,
edhe mund t'a kishin mprojtur. Deri Hodo Pasha dhe Prenk Bib Doda, në çastin e
fundit, u treguan të ftohur dhe të mënjanuar.

Atdhetarët, të pështetur në masat më të zhvilluara të popullit, e shpallën haptas se tani


duhëshin qëruar llogaritë me Turqinë, e cila as pati qënë e zonja të mpronte tokat e
Shqipërisë, as kishte ndër mend t'i jepte kësaj autonominë, me gjithë kërkesat dhe
thirrjet që i kishin vajtur ngado. Porta e Lartë s'iu ishte përgjigjur kurrë atyre thirrjeve.
S'donte mend të kuptohej se pa forcë nuk mund të merrej asgjë. Lidhja duhej të
përfitonte tani nga zemërimi i masavet dhe të hidhej menjëherë në vepërim për
autonominë e Shqipërisë. Pikësëpari duhej ndërruar Komiteti Qendror i Prizrendit
duke nxjerrë jashtë feudalët turkomanë për t'a marrë drejtimin në dorë atdhetarët e
vendosur. Dhe ashtu u bë. Në Krye të Lidhjes u vunë myderriz Ymer Efendi
Prizrendi, Sulejman Vokshi prej Gjakove, Shuaip Agë Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Këta
iu përveshën pregatitjes për luftë. Lidhja e pati përzënë mytesarrifin turk të Prizrendit,
Ahmet Hilmi Pashën, me gjithë nëpunësit e tij dhe i zëvendësoi me Shqiptarë. Po
ashtu bëri në Pejë, Gjakovë, Kaçanik e në shumë qytete të Kosovës, ku Shqiptarët
muarën në dorë administratën dhe gjyqet. Nëpër këto vende u dha lajmi që të rrinin
gati të gjithë burrat gjer në moshën 70 vjeç për të rrokur armët në rast se do të vinte
kundër tyre ndonjë ushtëri turke. Një fuqi e armatosur e Lidhjes, nën kumandën e
Sulejman Vokshit, hyri në Shkup më 4 të Jenarit 1881 dhe mori në dorë qeverimin e
vendit. Më 10 Jenar Shqiptarët i dhanë urdhër shoqërisë austriake të hekurudhës, në
Shkup, që të mos transportonte ushtëri turke as municione prej ose për në Mitrovicë e
qendra të tjera. Pas Shkupit, Sulejman Vokshi zuri Prishtinën, më 18 Jenar, dhe
Mitrovicën, më 25 t'atij muaji, duke arritur deri në Novi-Pazar. Prishtina ishte n'atë
kohë qendra e vilajetit të Kosovës (përpara se të bëhej Shkupi), dhe valiu turk e lëshoi
vendin e u nis për në Stamboll. Qytetet rreth e qark, Vuciterni, Gjilani, Kumanova,
ranë pa kundërshtim në duart e Lidhjes Shqiptare.

Në Dhjetor 1880, Abdyl Frashëri mundi t'ikte fshehurazi nga Stambolli ku vëzhgohej
prej autoritetevet, dolli në Sarandë dhe arriti në Dibër me disa përfaqësonjës të
Shqipërisë së jugës, duke ndjekur udhën për në Prizrend. Desh të drejtonte qeverinë e
Lidhjes dhe t'a shtynte për të shpallur zyrtarisht autonominë e Shqipërisë. Por në
Dibër turkomanët i bënë një atentat ku Abdyli shpëtoi në fillt. Kjo i dha shkas
zemërimit dhe ngritjes së popullit të Dibrës kundër partisë së Sadik Pashës, i cili u
thye bashkë me dy batalionët turq t'ardhur nga Manastiri. Me ndihmën që iu dërgoi
Lidhja, Dibranët e zotëruan gjendjen, e dëbuan mytesarrifin turk dhe u bashkuan me
qendrën e Prizrendit. Po ashtu bënë edhe Gostivari, Tetova e të tjera qytete të
Maqedonisë. Ndërkaq, Luma, Gjakova, Gucija, Plava, Peja, i kishin përzënë
autoritetet turke. Lidhja, u përpoq të ringjallte degën e Shkodrës, e cila ishte dobësuar
pas ndjekjevet dhe internimevet që bëri Dervish Pasha. Desh gjithashtu të bashkonte
malësitë, si Mbishkodrën, Mirditën, Dukagjinin. Në çdo vend ku u shtri autoriteti i
Lidhjes, qetësia u vu në rregull me nëpunës shqiptarë. Taksat që mblidhëshin,
shpenxohëshin për administratën e re. Prej nëpunësve të vjetër turq, ata që deshën të
qëndronin në vend, s'i trazonte kush. Një kujdes të veçantë i kushtoi Lidhja
vëllazërimit ndërmjet fevet duke ftuar të Krishterët që të merrnin pjesë të barabartë
n'administrimin e vendit.

Abdyl Frashëri, me t'arritur në Prizrend, e shtyti Lidhjen Shqiptare që të shpallej


qeveri e përkohshme dhe të dërgonte fuqi të mjafta për të zënë grykat e Kaçanikut.
Njëkohësisht iu çoi fjalë Shqiptarëvet, në jugë, që të pregatitëshin për të marrë në dorë
vilajetin e Janinës. Megjithëse Shqiptarët e jugës kërkonin jo vetëm autonominë por
mundësisht edhe pavarësinë kombëtare, lëvizja e tyre pengohej nga forcat e mëdha
ushtarake që Turqia kishte grumbulluar n'Epir, mbasi grindja e kufijve me Greqinë
nuk ishte mbyllur akoma. Lidhja e Prizrendit mendoi të dërgonte dhjetë mijë veta
t'armatosur në jugë për të ndihmuar që edhe atje t'a merrnin në dorë Shqiptarët
administrimin e vendit. Mendoi gjithashtu të thërriste një kuvend të përgjithshëm
kombëtar, nga mbarimi i Marsit, për të shpallur autonominë e Shqipërisë nën
mvarësinë e Sulltanit sipas programit të njohur. Nëqoftëse Porta e Lartë nuk do t'a
pranonte një gjë të këtillë, atëhere kuvendi do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë duke
e mprojtur me luftë.
Përpara këtyre vështirësive, Shqiptarët provuan edhe një herë të merrëshin vesh me
Greqinë për një vepërim të përbashkët kundër Turqisë. Por u kuptua shpejt se Greqia
desh vetëm t'i gënjente për interesat e saja dhe s'kishte kurrë ndër mend që të njihte
kufijtë natyrorë të Shqipërisë.

Se çfarë përpjesëtimi dhe ç'rëndësi kishin marrë ngjarjet shqiptare n'atë kohë,
kuptohet nga një letër e Sami Frashërit (për të cilën kemi folur më sipër) drejtuar De
Radës, më 20 të Shkurtit 1881:

"Lidhja e Shqiptarëve, që e ka kërthizën në Prizrend, në Gegëri, ka kërkuar shumë


herë që nga tre vjet e tëhu bashkimin e Shqipërisë në një provincë me autonomi; po
mbretëria gjer më sot e kish gënjyer me fjalë. Këtë herë Shqiptarët e kuptuan fort mirë
që mbretëria nuk do të bënjë gjë kurrë për ta, edhe Lidhja e Prizrendit ka nevojë të
bashkonjë Shqipërinë e t'a bënjë një me autonomi, e mbase me shkëputje fare, pas
punës. Kështu Lidhja mori emrin e kuvernës së përdorme (qeveri e përkohshme) dhe
përzuri kuvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës dhe nga Prizrendi, nga Gjakova,
nga Tetova, nga Dibra etj. 10.000 Shqiptarë të armatosur kanë zënë Ysqypnë
(Shkupin) edhe udhën e hekurtë, 10.000 të tjerë po bëhen gati për t'u unjur në Toskëri.
Për pak kohë do të dëgjoni një ngritje (kryengritje) të madhe në Shqipëri".

Ndërkaq, Porta e Lartë bënte planet e saj. Qeveria e Stambollit ishte mbledhur shumë
herë për të biseduar mbi çështjen shqiptare. Në qarqet turke kishte edhe asish që
mendonin t'i jepej një farë autonomie Shqipërisë e cila mund t'iu vinte kufi lakmivet të
fqinjëvet dhe do të largonte koklavitje të tjera në Ballkan. Sulltan Abdul Hamiti e
kishte menduar mjaft këtë punë. Druante sidomos ndonjë ndërhyrje të jashtëme në
ngatërresat shqiptare. Kishte dhënë urdhër që të formohej një komision i veçantë për
të studiuar çështjen e Shqipërisë dhe mundësinë e bashkimit të tokavet të saja në një
vilajet të vetëm. Por pastaj ngjarjet rrodhën ndryshe. U kuptua se, pa qënë e
shtrënguar me forcë, Turqia s'kishte asnjë dëshirë për t'i falur Shqipërisë autonominë.

Mareshali Dervish Turgut Pasha, i cili shikohej si një "dorë e fortë", nuk kishte fuqi të
mjafta për t'a shtypur lëvizjen, prandaj u thirr në Stamboll që në Dhjetor 1880.
Partizan i regjimit të përqendruar, ky i bindi qarqet turke se duhej vepëruar
energjikisht dhe se e merrte vetë përsipër t'a shtronte kryengritjen shqiptare.
Pregatitjet u bënë gjatë Marsit 1881. Dervish Pasha u nis me një ushtëri prej 15.000
vetash dhe me artileri. Përpara se t'arrinte ai vetë, disa reparte turke mundën të hynin
me befasi në Shkup dhe të forconin garnizonin që kishte mbetur aty i paluajtur nën
kumandën e Ibrahim Pashës. Mbasi Shqiptarët nuk patën kohë as mundësi
t'organizonin mprojtjen e qytetit, Pashaj turk e shpërndau komitetin e Lidhjes, më 23
Mars, dhe antarët e tij i kapi e i mërgoi n'ishullin e Rhodit. Në javën e parë të Prillit ia
mbërrini Dervish Pasha me ushtërinë e madhe. Me pushtimin e Shkupit, që ishte
qendra hekurudhore m'e rëndësishme e Kosovës, Turqit kishin në dorë pozitën më të
fortë te vendit.

Përpara se të nisej shpedita turke, Lidhja e Prizrendit iu kishte dërguar ambasadorëvet


të fuqivet të mëdha, në Stamboll, një memorandum me anën e të cilit kërkonte
përkrahjen e tyre, sidomos t'Austro-Hungarisë, në emër të të drejtavet njerëzore.
Mbasi kujtonte humbjen e tokavet që kishte pësuar Shqipëria dhe rrezikun në të cilin
ndodhej, memorandumi siguronte fuqitë e mëdha se autonomia që kërkonin Shqiptarët
s'kishte tjetër qëllim veçse shpëtimin e kombësisë së tyre dhe pjesëmarrjen e lirë në
qytetërimin evropian duke jetuar në paqe me fqinjët. Natyrisht, askush prej fuqivet të
mëdha nuk ndërhyri pranë Portës së Lartë për Shqipërinë.

Prej Shkupit, Dervish Pasha iu bëri Shqiptarëvet një shpallje ku iu thoshte se ai kishte
ardhur të shtronte vendin, se kohët ishin të rrezikshme, Turqia ishte e rrethuar me
armiq, prandaj, për të mirën e përgjithshme, ai ishte i pregatitur që të shtypte pa
mëshirë çdo kryengritje. Pastaj u nis për në Ferizaj, ku hyri më 16 Prill pa ndeshur në
pengesa. Ushtëria e tij, ngado që shkonte, kishte një dukje tepër kërcënonjëse.

Lidhja e Prizrendit grumbulloi fuqitë e saja, nja 5.000 veta. Nuk mundi të mblidhte
më shumë sepse agjentët e Turqisë, feudalë e turkomanë, kishin filluar punën e
përçarjes dhe të shmangievet. Një pjesë e fuqisë, rreth 3.000 vetash, e kumanduar prej
Sulejman Vokshit, zuri grykën e Cernolevës. Pjesa tjetër, nën kumandën e Mic
Sokolit nga Krasniqi dhe t'Ali Ibrës nga Gashi, u vendos afër Shtimljes. Pas disa
goditjesh të pjesëshme, ushtëria turke u hodh në vepërim të përgjithshëm më 21 Prill
dhe sulmoi pozitat e Shtimljes duke përdorur zjarrin e dëndur t'artilerisë. Shqiptarët
luftuan trimërisht, por u shtrënguan më në fund të tërhiqëshin në drejtim të Cernolevës
ku ishte vendi m'i fortë. Beteja m'e ashpër dhe vendimtare u zhvillua të nesërmen, më
22 Prill, në grykën e Cernolevës, pranë fshatit Slivovë, ku Shqiptarët bënë një
qëndresë shumë të rreptë gjer në përfytjen trup për trup. Ushtëria e madhe me
armatimin e rëndë i shtrëngoi të prapsëshin, por duke e mprojtur vendin çap më cap
deri në Suhareke ku bënë përpjekjen e fundit. Gjatë dy ditëve luftimi, Shqiptarët i
shkaktuan ushtërisë turke lart nga 1.500 të vrarë, kurse prej tyre ranë nja 800 trima në
fushën e nderit.

Dervish Pasha hyri në Prizrend, e shpërndau Lidhjen dhe ngriti gjyqin ushtarak. Por
lëvizja nuk u shua. Një pjesë e fuqivet shqiptare me disa nga krerët, si Abdyl Frashëri,
Ymer Efendi Prizrendi, Sulejman Vokshi, u tërhoqën në Gjakovë ku iu bënë thirrje
malësivet për ndihmë. Kumandari turk priti gjer sa i erdhën edhe dhjetë batalionë të
tjerë përpara se të sulmonte Gjakovën, të cilën e mori më 5 të Majit. Dervish Pasha u
tregua i butë me krerët shqiptarë që iu dorëzuan, si Ali Pashë Gucija, Iljaz Pashë
Dibra, Hasan Pashë Tetova etj., dhe iu dha grada më të larta. Hasan Pashë Tetovën e
bëri mytesarrif t'atij qyteti dhe Ali Pashë Gucinë mytesarrif të Pejës. Popullit i premtoi
një përmirësim të gjendjes dhe disa reforma, me kusht që t'i qëndronte besnik Turqisë.
Disa nga ata që s'u dorëzuan, si Sulejman Vokshi me shokë, ndëjtën mjaft kohë
malevet; të tjerët që u kapën, u dënuan me burg ose u internuan. Myderrizat Ymer
Efendi Prizrendi (ose Sheh Ymeri), kryetari trim i Komitetit të Lidhjes gjatë luftës për
autonomi, dhe Rauf Efendi Tetova, pasi qëndruan ca kohë malevet, u arratisën në
Mal-të-Zi. Familjet e tyre u internuan në Selanik.

Dervish Pasha caktoi një shpërblim të madh për kapjen e Abdyl Frashërit, i cili ishte
frymëzonjësi i bashkimit dhe i autonomisë. Abdyli desh t'arratisej përtej detit, por u
kap nga një patrullë turke afër Elbasanit, tek po hidhte Shkumbinin. Si ia prunë
Dervish Pashës në Prizrend, të rrethuar me roje të forta, Abdyl Frashërin e çuan në
Stamboll, ku u dënua me burgim të përjetshëm. Pasi bëri pesë vjet burg të rëndë
n'Anadoll, u lirua, dhe vdiq me 1894. Populli shqiptar e përkujtoi me këngë si këto:

"Abdyl Beu nga Frashëri - Ç'u përpoq i varfëri!


ç'u përpoq për Shqipëri! - U përpoq po s'pat njeri"

U duk sikur Dervish Pasha e shtroi vendin dhe vuri administratën turke nëpër qytetet,
por lëvizja vazhdoi në malësitë e Gjakovës, në Dibër dhe në Lumë deri në vjeshtë
t'atij viti. Kumandari turk u suall sipas rastevet, dhe iu desh t'internonte mjaft njerëz
n'Anadoll. Porta e Lartë nuk iu besonte më as atyre krerëve shqiptarë që u dorëzuan
vetë dhe që i rriti në grada. Prandaj Dervish Pasha iu kërkoi dhe iu mori djemtë e tyre
për të shërbyer gjoja si roje nderi në pallatin e Sulltanit, por në të vërtetën për t'i pasur
si peng.

Ndërsa ushtëria turke vepronte në veri, valiu i Janinës, Mustafa Asim Pasha, me të
cilin Dervish Pasha ishte në bashkëpunim, e shpërndau Lidhjen Shqiptare të jugës
duke përdorur përçarjen dhe kërcënimin e kërkesavet greke. Në Maj 1881, ai ftoi në
Prevezë disa nga krerët më të rëndësishëm të Lidhjes, gjoja sikur kishte një lajm të
madh për t'iu kumtuar, i kapi me të pabesë dhe i dërgoi në Dardanelet. Kurse Mehmet
Ali Vrionin, që kishte shoqëruar Abdyl Frashërin n'Evropë, e bëri mytesarrif të
Beratit, dhe Neki Pashë Libohovën mytesarrif të Gjirokastrës.

Dervish Pasha u kthye ngadhënjyës në Stamboll ku u çmua si njeriu që dinte sesi t'ua
ndreqte kokën Shqiptarëvet. Mbeti dhe pyetej si njohësi më kompetent për çdo gjë që
kishte te bënte me Shqipërinë.

U zgjatëm ca me Lidhjen e Prizrendit, sepse është akti m'i rëndësishëm i historisë


shqiptare në kohët e reja. Pas qëndresës lavdimadhe të Skënderbeut, është e para herë
që Shqipëria lëviz si një popull i bashkuar prej një çipi t'atdheut në tjetrin, për të
krijuar një shtet dhe për të mprojtur të drejtat e saja si një komb. Nuk është më luftë
krahinash, është lëvizje kombëtare me një program të caktuar, drejt një qëllimi.
Megjithëse diçka u bë për mprojtjen e kufijvet, qëllimi nuk u arrit, sepse gjendja nuk
ishte e pjekur, përbrenda, sepse Shqipëria nuk kishte përkrahje të jashtëme. Ndarjet
shekullore në fe e në krahina, në fise e në bajraqe, në bejlerë e në tarafe, nuk mund të
zhdukëshin si me frymë. Populli ishte i lidhur pas krerëvet, pas feudalëve a pronarëve
të mëdhenj. Këta shikonin interesat e tyre të veçanta dhe s'kishin fort dëshirë të
shkëputëshin prej Turqisë. Prandaj bashkimi qe m'i përgjithshëm kur ishte puna për
mprojtjen e kufijvet. U ça e u përça kur u vu kërkesa e autonomisë. Lidhja e Prizrendit
s'mundi të mblidhte më në fund veç 5.000 veta për t'i qëndruar forcës turke.
Megjithëse ideja e autonomisë lindi dhe ishte m'e zhvilluar në Jugë, rrethanat e prunë
që fusha e luftimevet dhe e ngjarjeve të mëdha të bëhej Veriu. Këtu luftuan bashkë
Myslimanë e Katolikë, dhe ishte punë e kënaqëshme që disa prej klerit mysliman u
treguan të vendosur për autonominë. Në jugë, Orthodoksit ishin përgjithësisht nën
ndikimin e Greqisë. Lidhja Shqiptare i ftoi kudo, në të gjitha mbledhjet, dhe s'desh të
bënte dallime fetare n'asnjë mënyrë. Vëllazërimi ndërmjet fevet ishte një nga pikat
kryesore të programit të saj.

Ndoshta Lidhja dështoi sepse nuk pati në krye një figurë ushtarake jashtëzakonisht të
fortë, siç kishte qënë dikur Kara Mahmud Bushati. Me një figurë të këtillë mund t'a
kishte fituar autonominë. Njeriu i Lidhjes Shqiptare, ai që i dha shpirt bashkimit
kombëtar, qëndresës dhe idesë s'autonomisë, ishte Abdyl Frashëri. Këtë e gjejmë
kudo, në jugë e në veri në Janinë e në Kosovë, në Dibër e në Prizrend, në Stamboll e
n'Evropë. Ky frymëzon të gjitha mbledhjet, harton programin e autonomisë, shtyn e
drejton qëndresën e Kosovës deri n'orët e fundit. Por Abdyl Frashëri, ndonëse njeriu i
vepërimit e i mbushur me shpirt luftarak, ndonëse i bindur se asgjë s'mund të fitohej
pa luftë, nuk kishte cilësi ushtari. Fytyra e tij e ndritur mbetet në historinë e re të
Shqipërisë si frymëdhënësi i lëvizjes kombëtare.

Megjithëse nuk ia arriti dot qëllimit, Lidhja e Prizrenit pati dy rrjedhime historike të
radhës së parë: ngjalli, përbrenda, idenë e bashkësisë kombëtare dhe e vuri problemin
shqiptar n'Evropë si një çështje për t'u zgjidhur. Tronditja që shkaktoi, s'mund të
kalonte pa lënë pas asnjë jehonë: prej saj e mori hovin shpirti i Rilindjes kombëtare.

XXI
Duke mos pasur një fe të përbashkët që të bëhej shprehja e kombësisë, si te Grekët, te
Serbët, te Bullgarët etj., Shqiptarët u përpoqën t'a lidhnin bashkimin rreth ndjenjës
kombëtare, rreth gjakut, gjuhës, zakonevet dhe kulturës popullore të tyre. Sepse feja,
te këta, ishte një shkak përçarjeje. Vetëm ndjenja e kombësisë mund t'i mblidhte të
gjithë tok. Por që t'arrinin sa t'a kuptonin se fe e kombësi nuk kundërshtojnë njëra-
tjetrën dhe se shumë fe mund të bashkëqëndrojnë vëllazërisht në të njëjtin komb - siç
ngjante jo vetëm te popujt e Evropës së qytetëruar, por në të gjitha racat e botës -
duhej ngritur shkalla e mendimit dhe e kulturës së tyre. Ngritja e kulturës do t'i jepte
popullit shqiptar vetëdijën e bashkimit, të njësisë, duke pajtuar jo vetëm ndasitë fetare
po edhe dallimet krahinore, të cilat qenë thelluar nga gjeografia dhe nga mungesa e
rrugëvet, mbasi Turqia, përveç gjakderdhjevet dhe përçarjevet, s'kishte bërë asnjë
ndërtim n'atë vend gjatë pesë shekujvet që e mbante nën sundim.

Përveç bashkimit fetar, Shqiptarëvet iu mungonte edhe kujtimi i historisë së tyre të


lashtë që duhej t'ua mbante të gjallë vetëdijen kombëtare siç ua mbante Grekëvet drita
e pavdekshme e helenizmit, siç ua mbante Serbëvet dhe Bullgarëvet historia e njohur
e mbretërivet të tyre mesjetare.

Pra, mbi çfarë themeli letrar e historik do të ngrihej kultura shqiptare? Si themel letrar
ishin këngët dhe rrëfimet popullore, në një gjuhë të pasur dhe të pastër, domethënë
folklori i ynë që çmohet si një nga më të bukurit n'Evropë. Me gjithë mungesën e një
letërsie të shkruar, kultura popullore e Shqiptarëvet ka qënë mjaft e lartë në të gjitha
kohët, e shprehur në krijime poetike, kallzime e fjalë t'urta, që na kanë ardhur gojë më
gojë e brez pas brezi si thesari m'i çmuar i gjeniut kombëtar. E drejta zakonore e të
Parëvet tonë, ashtu siç e gjejmë në Kanunin e Lek Dukagjinit, dëshmon jo vetëm
virtutet e larta të besës, tënderit dhe të burrërisë, po edhe kuptimin e barasisë përpara
ligjit, kuptim që, përtej revolucioneve të kohëve të reja, rrallëherë e gjejmë tek popujt
më të qytetëruar të botës. Mbi këtë kulturë popullore duhej ngritur kultura letrare e
shkencore, duhej zgjeruar horizonti i mendimit, i botëkuptimit.

Po historia? - Këtu del si shtatore gjiganti figura e Skënderbeut. Ajo iu përmend


Shqiptarëvet se ç'kishin qënë dikur. Iu kujton se ishin një komb i fortë, një komb nga
më trimat, një komb që bënte çudira, më parë se të përçahëshin në fe e në krahina. Në
Shqipëri brenda, gjatë shekujve t'errësirës, emri i kryetrimit ishte harruar pothuajse,
përveç ndonjë kujtimi të vogël që kishte mbetur rreth Krujës dhe në malësitë e veriut.
Por figura e Skënderbeut kishte hyrë në historinë e Evropës dhe jetonte e plotë tek
Arbëreshët e Italisë, rreth së cilës qenë thurur kujtimet, këngët e legjendat e tyre.
Prandaj shkrimtarët e Rilindjes s'kishin veçse t'a merrnin dhe t'ua tregonin
Shqiptarëvet. Atëhere Myslimanë e të Krishterë, Gegë e Toskë do të quhëshin të bijtë
e Skënderbeut dhe do të përqafohëshin si vëllezër përpara Atit të kombit.

Në Kongresin e Berlinit, Bismarck-u pat thënë në fillim se nuk dinte që të kishte një
kombësi shqiptare. Pastaj, kur Lidhja e Prizrendit ia provoi se kishte, çfaqi një tjetër
mendim pas nja tre vjetësh, si burrë i madh shteti që ishte, duke thënë se Greqia s'do
të mund t'a sundonte dot racën luftëtare e të panënshtruarshme të Shqiptarëvet,
prandaj do të bënte më mirë të mbante me ta marrëdhënie miqësore si aliatë të
natyrshëm kundër Sllavëvet dhe Turqvet. Nuk ka shembull më të qartë nga ky për të
dëftyer se një komb është komb vetëm atëhere kur lëviz dhe tregohet i tillë.
Këtë të vërtetë e kuptuan atdhetarët mendje-ndritur t'asaj kohe dhe iu vunë menjëherë
punës për të zgjuar vetëdijën e Shqiptarëvet si komb me anën e arësimit në gjuhën
shqipe, që kështu t'ishin në gjendje të bashkohëshin dhe të luftonin për të mprojtur të
drejtat e tyre.

Ndërsa Lidhja e Prizrendit po e bashkonte popullin shqiptar për një qëndresë me armë,
në Stamboll formohej, që në Shtator 1879, "Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip", e
cila u quajt prej disave "Drita" sipas emrit të së përkohëshmes që botoi më vonë.
Shoqëria përbëhej nga njerëz të ditur prej të tri fevet, me Sami Frashërin në krye dhe
me antarë Jani Vreto, Vaso Pasha (Pashko Vasa) Shkodrani, Hoxha Tahsim, Koto
Hoxhi e të tjerë. Qëllimi i shoqërisë ishte që të botonte libra shqipe, të hartuara ose
përkëthime, për t'i dhënë popullit shqiptar arësim dhe për t'a nxjerrë nga padituria.
Popujt janë qytetëruar me anën e mësimit në gjuhën e tyre, mendonte Shoqëria e
Stambollit, dhe një komb që nuk shkruan e këndon në gjuhën e tij është, i dënuar të
mbetet n'errësirë, siç ishte gjendja e Shqiptarëvet. Pikësëpari Shoqëria krijoi një abece
me shumicën e shkronjavet latine, me disa të tjera greqishte dhe ca pak të bëra prej
Samiut vetë për tingujt e veçantë të shqipes. Pastaj botoi një abetare, një këndim dhe
disa libra të tjera shkollore, më vonë nxori të përkohëshmen "Drita" dhe pastaj
"Dituria", duke u munduar që t'i jepte përhapje sa më të madhe mësimit të shqipes dhe
të bënte çmos për çeljen e shkollavet në Shqipëri. Duhet, thoshte Samiu, "të ndritohet
edhe kombi i ynë me dituri, me pasje e me rrojtje të mirë". Shkrimtarët e Shoqërisë
deshën t'afronin dialektet dhe t'a bënin shqipen gjuhë letrare. Sipas mendimit të
Samiut, gjuha shqipe duhej t'ishte një dhe e pandarë, ashtu siç duhej t'ishte Shqipëria.

Por kjo veprimtari nuk mundi të vazhdonte lirisht në Stamboll sepse qeveria turke, e
cila deri n'atë kohë kishte ndaluar me rreptësi shkolla e botime në gjuhën shqipe,
porsa erdhi në kundërshtim me Lidhjen e Prizrendit nisi t'ia ndalte hovin Shoqërisë së
Stambollit duke i nxjerrë lloj lloj pengimesh. Në këtë luftë kundër përhapjes së
shqipes shoqërohej edhe Patrikana. Grupi i Stambollit u përpoq t'a vazhdonte punën,
por me vështirësi të mëdha. Prandaj shtyti që të formohëshin shoqëri shqiptare në
qendra më të lira, si për shëmbull në Bukuresht, Rumani, ku ndodhej një koloni e
lulëzuar Shqiptarësh orthodoks. Udhëheqësi i saj kishte qënë Naum Veqilharxhi,
atdhetar nga Vithkuqi i Korçës, i cili ishte mërguar në Rumani prej shumë kohësh më
parë dhe kishte treguar një dashuri të thellë për gjuhën e mëmës, për gjuhën shqipe.
Naum Veqilharxhi ishte përpjekur edhe t'a shkruante shqipen me një abece që kishte
nxjerrë ai vetë, dhe të përhapte mësimin e saj; sepse kombet, thoshte, s'mund të nxënë
as nuk mund të kulturohen veçse në gjuhën e mëmës.

Shqiptarët orthodoks të Rumanisë dhe të kolonive të tjera, në pjekje me botën e


jashtëme, ishin shëruar nga ndjenjat grekomane dhe kishin përqafuar çështjen
kombëtare. Këta i dhanë një ndihmë shumë të madhe lëvizjes së Rilindjes. Që më
1880, Shoqëria e Stambollit dërgoi në Rumani Jani Vreton për të hapur nje degë të saj
në Bukuresht.

Me gjithë kërkesat e përsëritura, vetëm në verën e vitit 1884 iu dha leja Shoqërisë së
Stambollit të nxirte të përkohëshmen "Drita", kur Turqia u shqetësua nga përpjekjet e
Greqisë që donte t'i shtynte Shqiptarët në kryengritje. Mbasi myslimanët shikohëshin
si "Turq", leja u dha n'emrin e një të krishteri, i cili u tërhoq shpejt nën shtrëngimin e
Patrikanës greke. Prandaj e përkohëshmja ndërroi emër dhe u quajt "Dituria" me një
lejë të dytë që u dha n'emrin e një tjetër të krishteri, Pandeli Sotirit. Në të vërtetën, dy
të përkohëshmet u drejtuan nga vëllezërit Sami e Naim Frashëri me bashkëpunim të
Jani Vretos, Koto Hoxhit, etj. Po edhe "Dituria" qe jetëshkurtër si "Drita". Atëhere
qendra e botimevet u shpërngul prej Stambollit në Bukuresht, ku u formua e
famëshmja Shoqëria Drita me pjesëmarrjen e disa qindra Shqiptarëve Orthodoks. Kjo
botoi shkrimet shqipe me abecenë e Stambollit. Dy vjet më vonë, më 1887, Shoqëria u
riorganizua dhe mori emrin Dituria, por duke qëndruar e lidhur ngushtë me atë të
Stambollit dhe duke përdorur abecenë e saj. Drita dhe Dituria e Bukureshtit botuan
veprat e Naim Frashërit, të Samiut, të Jani Vretos dhe të shkrimtarëve të tjerë. Më
vonë ngjajtën disa përçarje në koloninë shqiptare të Rumanisë dhe, prej Jenarit 1887,
u quajt në Bukuresht një tjetër shoqëri me emrin Drita, e kryesuar prej Nikolla Naços,
i cili kishte të tjera mendime politike. Ky ishte për një bashkëpunim të ngushtë
ndërmjet Shqiptarëvet dhe Vllehëvet të Maqedonisë e të Pindit, të cilët, sipas këtij,
duhej të formonin mundësisht një shtet të përbashkët për t'iu qëndruar Grekëvet dhe
Sllavëvet. Shoqëria e Naços ndihmohej nga qeveria rumune, por pati pak antarë
Shqiptarë dhe Vllehë. Në botimet e tija Naçua përdorte abecenë latine. Shumica e
madhe e Shqiptarëvet të Rumanisë qëndroi e lidhur me Shoqërinë Dituria e cila
bashkëpunoi me atë të Stambollit dhe me tërë lëvizjen kombëtare në mërgim. Një
shoqëri e tretë kulturore u formua më pastaj në Bukuresht, me emrin Shpresa. Të
gjitha këto tregojnë veprimtarinë e Shqiptarëvet të Rumanisë për të ndihmuar në
çështjen kombëtare.

Atdhetarët e kolonisë s'Egjyptit, ku mbretëronte një dinasti shqiptare, nuk mbetën pas.
Formuan edhe ata, shoqëritë e tyre dhe botuan gazeta shqipe me emra të ndryshëm.
Egjypti u bë një nga vatrat më të nxehta të lëvizjes sonë kombëtare.

Kolonia shqiptare e Sofjes, në Bullgari, e përbërë edhe ajo prej të mërguarëve


orthodoks, formoi më 1890 shoqërinë Dëshira, nën kryesinë e Kristo Luarasit, dhe
ngrehu pak vjet më vonë shtypëshkronjënMbrothësia me abecenë e Stambollit. Këtu u
botuan mjaft libra e të përkohëshme ndër të cilat Kalendari Kombiar i Midhat
Frashërit dhe gazeta Drita e Shahin Kolonjës. Shoqëria Dëshira e Sofjes, Dituria e
Bukureshtit dhe grupi i Stambollit bashkëpunuan ngushtë ndërmjet tyre duke përdorur
të njëjtën abece.
Tek Arbëreshët e Kalabrisë, De Rada nxori të përkohëshmen muajore Fiamuri
Arbërit, në shqip e italisht, prej Korrikut 1883 gjer më 1887. Këtu u botuan mendimet
e Rilindasvet, në një kohë kur nuk kishte gazeta nëpër kolonitë e tjera, dhe u përhap
zëri i kombësisë shqiptare.

Arbëreshët e Italisë mbajtën edhe dy kongrese gjuhësorë, më 1895 dhe më 1897, me


shtytjen e De Radës, të Schirojt dhe t'Anselmo Lorecchio-s. Pas kongresit të parë, i
cili zgjodhi si kryetar nderi Francesco Crispin - dhe ky, në telegrarnin e urimit, thoshte
se ishte "Shqiptar nga gjaku e nga zemra" - u botua më 1896 e përkohëshmja Ili i
Arbëreshëvet. Kongresi i dytë, që u mbajt në Lungro të Kalabrisë, në Shkurt 1897,
thekësoi të njëjtin program: njësimin e abecesë, përpilimin e një fjalori, themelimin e
një shoqërie kombëtare shqiptare dhe zgjerimin e lidhjevet me atdheun e vjetër. Pas
kongresit të dytë Ili i Arbëreshëvet u zëvendësua nga gazeta La Nazione Albanese, nën
drejtimin e Anselmo Lorecchio-s.

Disa vjet më vonë nisi të shquhej veprimtaria e atdhetarëvet shqiptarë t'Amerikës.

Rilindja letrare shqiptare kishte nisur përpara Lidhjes së Prizrendit. sidomos tek
Arbëreshët e Italisë, me De Radën në krye. Por hovin e madh e mori pas ngjarjevet të
vitit 1878. Të frymëzuar prej lëvizjes së bashkimit t'Italisë, Arbëreshët De Rada,
Camarda, Dorsa, Serembe, e të tjerë, u ngritën për të ringjallur vetëdijën e kombësisë
së tyre me anë krijimesh letrare e mbledhje këngësh a rapsodish popullore, ose me anë
studimesh mbi gjuhën dhe historinë e Shqiptarëvet. E forcuar më vonë me fytyra të
reja, sidomos me atë të Zef Schirojt, rryma letrare e Arbëreshëvet t'Italisë u lidh me
veprimtarinë e shoqërive të tjera shqiptare në mërgim edhe u bë pjesë e pandarë e
lëvizjes së Rilindjes sonë kombëtare.

Princesha rumune me origjinë shqiptare, Helena Gjika, e cila shkruante në gazetat dhe
të përkohëshmet më të mëdha t'Evropës, nën pseudonimin Dora d'Istria, ishte
munduar t'a bënte të njohur kombësinë shqiptare me anën e këngëvet popullore dhe
kishte përkrahur shkrimtarët arbëreshë t'Italisë. Në të përkohëshmen frënge Revue des
deux Mondes botoi më 1866: Kombësia shqiptare sipas këngëvet popullore -
Shqiptarët e të dy brigjevet t'Adriatikut.

Mjerisht, Arbëreshët e Greqisë nuk mundën të zhvillonin një veprimtari të këtillë,


sepse Greqia shtypte me çdo mjet ndjenjat kombëtare shqiptare. Megjithatë, Panajot
Kupitoris nga ishulli Hydra botoi më 1879 një studim historik e filologjik rreth gjuhës
dhe kombit shqiptar. Ai që u përpoq të ngjallte ndjenjat shqiptare tek Arbëreshët e
Greqisë ishte Anastas Kullurioti, nga ishulli i Sallaminës, i cili botoi n'Athinë, më
1882, gazetën Zëri i Shqipërisë, dhe një abetare për t'iu mësuar bashkatdhetarëvet të
tij gjuhën e mëmës. I ndjekur prej Grekëvet, Kullurioti shkoi në Rumani, pastaj u
kthye në Shqipëri, në Gjirokastër ku, me kërkesën e konsullit grek, u kap prej
autoritetevet turke dhe u dërgua në Korfus. Më në fund mbaroi në burgun e Athinës.

Shqiptarët e Greqisë kanë qënë heronjt e kryengritjes dhe të pavarësisë greke. Pas
themelimit të shtetit grek, përveç pozitavet të tjera, përbënin pjesën e zgjedhur
t'ushtërisë së detit. Mbasi nuk dinin greqisht, urdhërat në marinën greke jepëshin në
gjuhën shqipe edhe gjer në vjetët e parë të shekullit XX. Gjinden akoma edhe sot në
bibliotekën e parlamentit grek arkivat e marinës s'asaj kohe me urdhëra e qarkore në
gjuhën shqipe, shkruar me shkronja greke. Por Arbëreshët e Greqisë nuk kanë pasur
ndjenja shqiptare, për arësyet që janë treguar më sipër - edhe ndoshta sepse patën
emigruar n'ato vende që përpara kohës së Skënderbeut. Por gjuhën shqipe e patën
ruajtur edh' e flisnin pastër gjer në pjesën e parë të këtij shekulli.

Prej Rilindasvet shqiptarë përpara Lidhjes së Prizrendit, Zef Jubani nga Shkodra pati
botuar në Trieshtë, më 1871, një përmbledhje këngësh popullore të Shqipërisë së
veriut, me një parathënie në të cilën kritikonte ashpër sundimin turk dhe pohonte se
tërë Shqiptarët, me gjithë ndryshimet fetare, ishin të një gjaku, të një gjuhe, me
zakone dhe aspirata te përbashkëta.

Atdhetari korçar, Thimi Mitko, kishte botuar n'Egjyptë, më 1878, një përmbledhje
këngësh dhe kallzimesh popullore me emrin Bleta Shqiptare. Por shkrimtari m'i madh
i asaj kohe është Kostandin Kristoforidhi, i cili, në shërbim të Shoqërisë Biblike
angleze, përkëtheu në një shqipe të thjeshtë e të fuqishme pjesë të Dhiatës së Vjetër e
së Re dhe Psallmet. Kristoforidhi vazhdoi të shkruante edhe pastaj në një prozë të
kulluar dhe punoi sidomos fjalorin e famshëm gjatë tërë jetës së tij. Ndërmjet vjetëvet
1865 dhe 1870, Kristoforidhi bashkë me Pashko Vasa Shkodranin, Hoxha Hasan
Tahsimin nga Çamëria dhe Ismail Qemalin u përpoqën në Stamboll të merrnin lejë për
formimin e një shoqërie kulturore shqiptare, por nuk mundën.

Në Shqipëri brenda, vetëm kleri katolik i Shkodrës, që gëzonte mprojtjen e Austro-


Hungarisë, pati mundur të çelte shkolla ku hynte edhe mësimi i shqipes. Më parë
filluan Fretërit; pastaj hapën edhe Jezuitët një seminar, ku shqipja u fut si lëndë që më
1872, dhe një kollegj më 1877. Nga mbarimi i shekullit, më 1899, Imzot Prenk Doçi,
abati i Mirditës, themeloi shoqërinë letrare Bashkimi ku përmblidhej një pjesë e mirë e
klerit katolik shqiptar, sidomos Fretërit. Një tjetër shoqëri letrare, Agimi, u krijua në
Shkodër nga Dom Ndre Mjeda, më 1901.

Përpara se të merrte hov Rilindja kombëtare shqiptare, domethënë më parë se të


çohëshin Shqiptarët vetë, ishin interesuar dijetarët e huaj për të studiuar gjuhën dhe
kombësinë tonë. Që në shekullin XVII, filozofi e dijetari i madh gjerman, Leibniz,
ishte marrë edhe me gjuhën shqipe, por e njihte fare pak dhe e lidhte me keltishten. Në
shekullin XVIII, Rektori i Seminarit italo-shqiptar të Palermos, Paolo Maria Parrino,
pati bërë studime të gjera mbi historinë dhe ethnografinë shqiptare. Botimi i profesorit
gjerman J. Thunmann; Kërkime mbi historinë e popujve t'Evropës lindore (më 1774)
zgjoi një interes më të gjallë rreth shqipes. Thunmann-i, duke u pështetur në studimet
gjuhësore, përfshinte edhe Thrakët në përbërjen e popullsisë shqiptare. Malte-Brun e
ndante në tre grupe prejardhjen e shqipes duke e lidhur me gjuhët e vjetra t'Evropës.
Një shtytje të re i dha studimit të shqipes dhe t'origjinës së kombit tonë vepra e
dijetarit gjerman, J. Xylander, Gjuha e Shqiptarëvet, botuar në Frankfurt më 1835. Por
sidomos shkrimet e të famshmit Georg von Hahn, konsulli austriak në Janinë, Studime
Shqiptare, botuar më 1853-1854, hapën një tjetër horizont për Albanologjinë, dhe
Hahn-i u shikua për disa kohë si babaj i saj. Ky e përshkruante Shqipërinë dhe
popullin e saj me histori, gjuhë e zakone, duke botuar një pjesë të folklorit, një fjalor
dhe një gramatikë të shqipes. Shkrimtari frëng Ami Boué, në veprën e tij Turqia e
Evropës(Paris, 1840) dhe të tjerë auktorë kanë hedhur dritë mbi shtrirjen gjeografike
dhe veçoritë ethnike të kombit shqiptar. "Shqiptarët janë ndoshta raca m'e bukur e
Turqisë... midis tyre mund të gjinden tipa të denjë për t'u marrë si model i Afroditës
ose i Apollonit", shkruante Ami Boué1.

Linguistë të mëdhenj si Franz Bopp dhe August Schleicher (Gjermanë), Holger


Pedersen (Danes) u muarën me studimin e shqipes. Bopp-i ishte i mendimit se kjo
zinte një vend të veçantë në familjen e gjuhëvet indo-evropiane, kurse Schleicher-i e
mbante për një gjuhë pellazgjike. Këto theori kishin rëndësi të madhe n'anën historike,
sepse gjuha tregonte edhe rrënjën e popullit shqiptar. Prandaj tekRilindasit u përhap
ideja se Shqiptarët rrithnin prej Pellazgëvet dhe se ishin kushërinj me Grekët. Këta të
fundit u përpoqën t'a shfrytëzonin legjendën pellazgjike për t'i futur Shqiptarët nën
sundimin e tyre, gjoja si me origjinë të përbashkët. Studimet e reja dhe të thelluara të
historisë nuk kanë mundur të përcaktojnë asgjë rreth Pellazgëvet, të cilët mbeten si një
emër i mjegullt. Grekët e Vjetër quanin Pellazgë atë shtresë popullsie që gjetën në
Ballkan dhe n'ishujt e Egjeut përpara se të zbrisnin fiset helenike. Pellazgët kishin
qënë ndërtonjës qytetesh dhe muresh vigane me gurë shumë të mëdhenj; Grekët i
muarën prej tyre emrat e disa perëndive, sipas Herodotit. Për fise pellazgjike është
folur jo vetëm në Ballkan, por në tërë botën e Mesdheut, prej Azisë së Vogël deri
n'Itali. Tek historianët e vjetër grekë, Efori, Herodoti, Thuqidhidhi e deri te Hesiodi
gjejmë një mishmash të ngatërruar rreth Pellazgëvet. Ky emër mbetet akoma i
mjegullt edhe për historianët e sotshëm me gjithë studimet që janë bërë rreth tij e
vërteta është se fiset helenike sikurse fiset e të Parëvet tonë, kur erdhën në Ballkan,
gjetën aty një shtresë popullsie të mëparshme të cilën e quajtën Pellazgë. Prej asaj
shtrese muarën sigurisht fjalë dhe elemente të qytetërimit. Rrënjët e përbashkëta të
disa fjalëve ndërmjet shqipes dhe greqishtes e kanë ndoshta burimin tek shtresa e
popullsisë pellazgjike. Por si fiset helenike ashtu edhe fiset stërgjyshore të
Shqiptarëvet erdhën më vonë e u vendosën përmbi atë shtresë. Dhe ishin fise të
ndryshme (të Parët tonë me Helenët) ndonëse bënin pjesë në
familjen Ariane ose Indo-Evropiane.

Linguisti austriak Gustav Meyer e hodhi poshtë theorinë pellazgjike të shqipes dhe u
përpoq të vërtetojë se kjo vjen prej ilirishtes së vjetër. Por Meyer-i e paraqit mjaft të
kufizuar numrin e fjalëvet-rrënjë të shqipes duke i pandehur të huaja një pjesë të
tjerash. Kurse linguistë më të rinj, ndër ta edhe Norbert Jokl-i, e tregojnë gjuhën tonë
shumë më të pasur me rrënjë thjeshtë të sajat nga ç'e mendonte Meyer-i. Veçse Jokl-i
e nxjerr shqipen me rrjedhje iliro-thrake.

Duket se Ilirët, Thrakët, Maqedonasit, Dakët, Frigjët e të tjerë përbënin në kohët e


vjetra një familje popujsh me lidhje gjuhe e gjaku, sikurse popujt sllavë që zbritën
n'Evropë më vonë. Prej brigjevet t'Epirit, Ilirët kapërcyen n'Itali, ku jo vetëm Japigët
dhe Mesapët, por disa historianë mendojnë se edhe Sabinët ishin Ilirianë. Raca iliriane
kaloi Apeninet, sipas këtyre, dhe arriti deri n'Etruri.

Sidoqoftë, prej kësaj familjeje popujsh të vjetër, kanë mbetur të pashkrirë vetëm
Shqiptarët dhe gjuha shqipe.

Pra, siç e pau për herën e parë Bopp-i dhe siç e vërtetojnë Pedersen, Jokl etj., shqipja
zë një vend të veçantë në grupin "satem" të gjuhëvet indo-evropiane. Shqiptarët
përbëjnë një komb të dalluar, nga më të vjetrit n'Evropë, dhe nuk janë një përzjerje e
çoroditur siç mendonin armiqtë e tyre. Pedersen-i thekëson se shqipja është një gjuhë
më vehte dhe se ndryshimet dialektore të saja janë fare të vogla.

Po ashtu, anthropologë që kanë studiuar veçoritë trupore të popullit shqiptar, si Dr.


Paul Traeger, Gjerman, Prof. Eugëne Pittard, Zviceran, e të tjerë, vërtetojnë se ai
përbën një grup racial të përbashkët dhe se të njëjtët tipa gjinden prej një skaji të
Shqipërisë në tjetrin, prej veriut në jugë. Është vështirë të gjindet një popull me trajtë
kafke aq të përngjashme, thotë Prof. Pittard, i cili i mban Shqiptarët si një racë shumë
të bukur malësorësh, brakiqefalë (kokë-gjerë), me shtat të bëshëm e të zhdërvjelltë,
racë që ai e quan Iliriane ose Dinarike.

Gjeografi i madh frëng Elisée Reclus shkruante, më 1875, në Gjeografinë e


Përbotëshme "...Kur Shqiptarët të hyjnë në marrëdhënie të vazhduarshme me popujt e
tjerë, shpresohet me të drejtë se do të lozin një rol të rëndësishëm, mbasi ata dallohen
përgjithësisht nga hollësia e mendjes, qartësia e mendimit dhe forca e karakterit".

Kështu Albanologët e huaj kishin vërtetuar se Shqiptarët janë një racë e vjetër dhe se
zënë një vend të veçantë si gjuhë e si kombësi në familjen e Evropës. Shkrimtarët e
Rilindjes duhej t'a nximin nga errësira e padijes popullin e përçarë në fe e në krahina,
t'ia kujtonin se ishte një komb i lashtë që kishte pasur për të Parë Aleksandrin e Madh,
Filipin, Bardhylin, Aleksandër Mollosin, Pirron, Agronin. Teutën, dhe sidomos
Skënderbén, rreth të cilit gojëdhënat mbushnin akoma folklorin e Arbëreshëvet
t'Italisë. Figura e Skënderbeut u bë simboli i bashkimit kombëtar. S'kishte vjershëtar a
shkrimtar që të mos e përmendte. De Rada pati shkruar poemin Scanderbeccu i
Pafaan. Zef Schiroj, në Rapsoditë Shqiptare, pjesën e parë ia kushtonte rrethimit të
Krujës prej Sulltan Mehmetit II, dhe, Te Dheu i Huaj, ngjitej deri n'origjinën
pellazgjike të Shqiptarëvet duke kaluar pastaj nëpër kohët kastriotiane. Gabriello Dara
mblodhi nga gojë e Arbëreshëvet, lidhi e përpiloi poemthin e bukur Kënka e Sprasme
e Balës. Naim Frashëri shkroi në vjershë veprën Istori e Skënderbeut.

Letërsia e Rilindjes lulëzoi jashtë Shqipërisë, me përjashtim të krijimevet të klerit


katolik në Shkodër, i cili gëzonte një farë mprojtjeje. Botimet nga Bukureshti, Sofja,
Egjypti, Italia, hynin fshehtazi në Shqipëri dhe shpërndahëshin dorë më dorë, në një
numër të kufizuar, pa u përhapur dot, fatkeqësisht, në shumicën e popullsisë. Të gjitha
shkrimet nuk kishin një vleftë letrare, por qëllimi i tyre ishte ngjallja e ndjenjës
kombëtare dhe bashkimi i Shqiptarëvet me anën e arësimit. Pa u zgjatur këtu mbi
vjershat e bukura të Çajupit (Anton Zakos), n'Egjyptë, mbi vjershat e Filip Shirokës,
mbi ato t'Asdrenit (Aleks S. Drenovës), në Rumani, mbi botimin e një pjese të
folklorit shqiptar, Valët e Detit, nga Spiro Dine, më 1908, mbi veprat e Dom Ndre
Mjedës dhe të Dom Ndoc Nikajt, në Shkodër, mbi ç'patën shkruar Sami Frashëri,
Vaso Pasha, Jani Vretua e të tjerë, dy poetët që kanë lozur një rol kryesor në Rilindjen
kombëtare janë Naim Frashëri dhe At Gjergj Fishta.

Cilado qoftë vlefta letrare e vepravet të Naimit, gjuha e tij është një shqipe e kulluar,
krejt e pastër nga fjalët e huaja, dhe ndjenjat e tija njerëzore janë aq të çiltëra, aq të
nxehta, sa që prekin shpirtrat edhe nëpër ato vjersha të thjeshta. Naimi i përfshin në të
njëjtën dashuri të gjithë Shqiptarët, myslimanë e të krishterë, Toskë e Gegë, në
Shqipëri a kudo që të ndodhëshin. Zemra e tij, ëndërra e tij, adhurimi i tij ishte
Shqipëria, prandaj mund të quhet me të drejtë apostulli i kombësisë.

At Gjergj Fishta është ndoshta m'i madhi poet shqiptar gjer më sot. Edhe ky pjesën më
të rëndësishme të veprave të tija ua pati kushtuar subjekteve kombëtarë. Në
kryeveprën Lahuta e Malcis, poem epik shumë i fuqishëm, këndon luftat e
malësorëvet të Shkodrës kundër Malazezvet dhe më në fund kundër Turqve të Rinj.
Aty tregon, me vija të forta, doke e zakone, besë e burrëri, veçoritë trupore si edhe
botëkuptimin dhe fisnikërinë morale të Shqiptarit.

Nuk mund të flitet për brezin e Rilindjes pa përmendur Faik Konitzën, punonjës i
gjuhës, përhapës i shkrimevet, i idevet dhe shtytës i kulturës kombëtare. Që më 1897,
kur ishte fare i ri, nxori në Bruksel të përkohëshmen Albania, të cilën pastaj e vazhdoi
në Londër gjer më 1909. I pajisur me dituri të gjerë, njohës i shumë gjuhëve dhe
veprave, Faik Konitza i dha bukuri artistike prozës shqipe, zbuloi shprehjet e holla të
saja edhe e ngriti në lartësinë letrare. Mjerisht, nuk ka shkruar veçse artikuj, kritika
dhe ndonjë përkëthim. E përkohëshmja Albania u bë si një enciklopedi e vogël
shqiptare, ku shkruhej mbi gjuhë, letërsi, arte, histori, probleme politike e shoqërore,
botohëshin pjesë të folklorit dhe t'auktorëvet që jetonin të shpërndarë nëpër vise të
ndryshme të botës.

Në vjetët e parë të këtij shekulli nisi të shquhej kolonia shqiptare e Amerikës, e cila.
pak më vonë, u tregua shumë e gjallë për mprojtjen e të drejtavet kombëtare. Më
1905, Petro Nini Luarasi formonte shoqërinë Malli i Mëmëdheut. Të tjera shoqëri u
formuan më pastaj. Në Qërshor 1906, Sotir Peci filloi të botonte në Boston
gazetën Kombi. Rolin më të madh n'Amerikë ka për t'a lozur Fan Noli, i cili u dorëzua
prift më 1908 me qëllim misionari, për t'i shkëputur Shqiptarët orthodoks nga Kisha
greke, nga helenizmi, e për të themeluar Kishën Autoqefale shqiptare me liturgjinë e
saj në gjuhën shqipe. Kisha Orthodokse shqiptare e Amerikës u organizua më 1919 si
një dioqezë e pavarur, me Peshkop Nolin në krye. Fan Noli u shqua në fushën
kombëtare si letrar, si njeri politik, si përhapës mendimesh, por shërbimin më të madh
ia ka sjellë Shqipërisë si themelonjës i Kishës Autoqefale dhe përkëthenjës i liturgjisë
së saj në gjuhën shqipe, të thjeshtë e t'ëmbël si qumështi i mëmës.

Më 1909, shkoi n'Amerikë edhe Faik Konitza, i cili drejtoi për disa kohë, në Boston,
gazetën Dielli. Pastaj nxori në St. Louis, Missouri gazetën Trumbeta e Krujës. Më
1912, Konitza, Noli e të tjerë atdhetarë themeluan në Boston Federatën Pan-
Shqiptare Vatra t'Amerikës, e cila përmblodhi në gjirin e saj shoqëritë e mëparëshme
dhe pati si organ gazetën Dielli. E udhëhequr prej Nolit dhe Konitzës, Vatra ka lozur
një rol fort të rëndësishëm në mprojtjen e pavarësisë dhe të të drejtavet shqiptare.

Një nga problemet kryesorë në lidhje me kulturën dhe arësimin kombëtar ishte edhe
pranimi i një abeceje të përbashkët për gjuhën shqipe. Në shkrimet e vjetra qenë
përdorur abece të ndryshme, latine, greke edhe arabe. Shkrimtarët katolikë e
Arbëreshët e Italisë patën përdorur abecenë latine me disa bashkëngjitje shkronjash
ose shënja të veçanta për t'ua përshtatur tingujve të shqipes. Gjon Buzuku pat marrë
edhe ca shkronja cirilike. Naum Veqilharxhi dhe, përpara atij, Theodor Haxhi Filipi
nga Elbasani patën bërë nga një abece të veçantë. Një gjë të këtillë mendoi të shpikte
edhe Hoxha Tahsimi. Jani Vretua anonte për abecenë greke, sepse atëhere besohej në
theorinë pellazgjike që na bënte kushërinj me këta. Daut Boriçi nga Shkodra pat
botuar një abetare të gjuhës shqipe me shkronja arabe. Kjo gjë iu pëlqente edhe disa
pashallarëve e bejlerëve, dhe mund të kalonte e pa-vënë-re prej autoritetevet turke për
t'iu mësuar shqipen Myslimanëvet. Kurse Ismail Qemali dhe Vaso Pasha ishin për
abecenë latine.

Por në fillim të këtij shekulli, më të përhapurat ishin abeceja e Shoqërisë së Stambollit


ose e Frashëriotëvet, për të cilën kemi folur më sipër, dhe dy abece latine, me disa
ndryshime ndërmjet tyre, që përdorëshin në Shkodër prej shoqërivet të klerit
katolik Bashkimi dhe Agimi. Abeceja e Stambollit dhe ajo e shoqërisë Agimi kishin
nga një shkronjë për çdo tingull. Njësimi i abecesë donte të thoshte njësimi i gjuhës
shqipe, dhe njësimi i gjuhës donte të thoshte njësimi i kombit. Këtë të vërtetë e kishin
kuptuar me kohë Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë. Prandaj qenë bërë përpjekje për
një abece të përbashkët. Rrahja m'e gjere e kësaj çështjeje u bë në Kongresin e
Manastirit, i cili u mblodh në Nëntor të vitit 1908. Kishin ardhur përfaqësonjës nga të
gjitha qendrat kulturore shqiptare. Pas shumë bisedimesh e duke marrë para sysh
përhapjen e botimevet t'asaj kohe, u vendos që të përdorëshin dy abece, ajo e
Stambollit dhe një tjetër latine si ajo e shoqërisë Bashkimi. Por pastaj, ca nga ca,
sidomos pas vitit 1912, abeceja e Stambollit u la mënjanë dhe u pranua prej të gjithë
Shqiptarëvet abeceja latine që përdoret edhe sot.

Ndërsa jashtë Shqipërisë bëhëshin këto përpjekje për Rilindjen kombëtare, përbrenda
gjendja kishte mbetur pothuajse e pandryshuar, shkollat shqipe ishin rreptësisht të
ndaluara përveç atyreve të klerit katolik në Shkodër. Prej vitit 1888, hapi edhe Italia
dy shkolla fillore në Shkodër, një për djem e një për vajza, me qëllim që të fuste
kulturën e saj për t'i bërë kundërpeshë ndikimit politik t'Austro-Hungarisë. Kjo e
fundit, nëpërmjet të klerit katolik, vazhdoi hapjen e shkollavet fillore shqipe, përmbi
njëzet, në rrethin e Shkodrës, në Prizrend e gjer në Durrës. Po edhe Italia nuk desh të
mbetej pas. Hapi një shkollë tregëtare në Shkodër, më 1899, dhe disa të tjera më
pastaj: fillore, tregëtare e mjeshtërore, ku mësimet jepëshin italisht, nëpër qytete të
ndryshme, si në Durrës, Vlorë, Gjirokastër e Janinë.

Në viset shqiptare me pakica sllave të Maqedonisë kishte shkolla bullgare që


ndiqëshin edhe prej Shqiptarësh orthodoks, dhe në Kosovë qenë hapur aty-këtu
shkolla serbe. Ekzarkati bullgar (Kisha kombëtare bullgare) ishte shkëputur nga
Patrikana më 1870, dhe kishte hyrë në luftë kundër Kishës greke për të shkrirë
ndikimin e vet në Maqedoni, në vilajetet e Manastirit e të Kosovës duke hapur shkolla
bullgarisht. Nëpër këto krahina u ndesh dhe me Kishën serbe, e cila donte të bënte të
njëjtën punë me anën e klerit të saj dhe të shkollavet, domethënë të serbizonte
Maqedonasit dhe Shqiptarët. Atë që kishte dashur të bënte Kisha greke për
çkombëtarizimin e Shqiptarëvet, po mundohëshin t'a bënin tani edhe Kishat bullgare e
serbe. Lufta ndërmjet tri Kishavet për të futur popullsinë orthodokse të Maqedonisë e
të Kosovës nën mvarësinë e tyre u ashpërsua aq tepër sa që arriti në përpjekje çetash
t'armatosura, të shtytura nga Athina, Sofja e Belgradi.

Por ato që shtrihëshin në tërë vendin ishin shkollat greqishte për Orthodoksit dhe
turqishte për Myslimanët. Qeveria turke dhe Patrikana ishin marrë vesh ndërmjet tyre
për t'i mbajtur Shqiptarët të çarë më dysh: Turqia, sepse ashtu mund t'i sundonte më
lehtë, mund të ndalte mëkëmbjen e një kombësie shqiptare dhe t'i përdorte
Myslimanët si ushtarë të saj; Patrikana, sepse s'donte që Orthodoksit shqiptarë t'i
delnin prej dore, por duhej të formonin trup të përbashkët me kombësinë greke. Kjo
politikë fetare e Patrikanës ishte e njëjtë me atë të qeverisë greke t'Athinës. Për të
ndaluar arësimin shqip, Turqia përdorte forcën. Patrikana me klerin grek përdornin
mallkimin e gjuhës shqipe dhe çkishërimin e atyre që e mësonin. Kur dëshira për
arësimin kombëtar filloi të merrte hov në Shqipëri dhe "mallkimi" nuk mjaftonte,
engjëjt-grekë të Patrikanës vranë me plumba e me thika priftërinjtë shqiptarë at Kristo
Negovanin dhe At Stathi Melanin, sikurse dyshohet që patën vrarë Mjeshtër Todërin
nga Elbasani, më 1806, dhe helmuar Naum Veqilharxhin, më 1866. Vranë Pandeli
Sotirin më 1891, përveç të tjerëve që gjetën vdekjen prej atyre armiqve të djallëzuar.

Shqiptarët patën bërë protesta pothuajse në të gjitha mbledhjet ndërkombëtare për


mos-pasjen e shkollavet në gjuhën e tyre. Myslimanët prej krahinash të ndryshme i
qenë drejtuar Sulltanit me lutje e telegrame për t'iu hapur shkolla shqipe, por të gjitha
këto ishin si trokitje në derën e shurdhit. Në një protestë që i drejtonte populli i Dibrës
Stambollit, më 1898, i thoshte: "Armiku m'i madh i Shqipërisë po tregohet Porta e
Lartë. Qeveria turke lejon në tokat shqiptare shkollat greke, bullgare e serbe dhe na i
ndalon neve që kemi lindur e jetojmë në këtë vend. Kështu të drejtat tona po merren
nëpër këmbë prej atyre që duhej të na ishin mirënjohës dhe të na shpërblenin për
gjakun që kemi derdhur dhe po derdhim në shërbim të Perandorisë Otomane".

Shqiptarët e kolonivet u përpoqën me sa mundën për të përhapur mësimin e gjuhës


amtare n'atdheun e mjeruar. Ndonjë atdhetar si Koto (Kostandin) Hoxhi, i cili pati
qënë mësuës në shkollën normale greke të fshatit Qestorat afër Gjirokastrës, ishte
vënë t'ua mësonte shqipen fshehurazi disa nxënësve të tii, si Pandeli Sotirit dhe Petro
Nini Luarasit, që u shquan më vonë për dashurinë kombëtare. Koto Hoxhi u përpoq të
hapte edhe një shkollë shqipe, por qe e pamundur. Më në fund peshkopi grek i
Gjirokastrës e çkishëroi, dhe Koto Hoxhi, siç e dimë, bëri pjesë pastaj në Shoqërinë e
Stambollit. Për tërë vilajetin e Janinës, n'atë kohë, kishte 665 shkolla greke dhe asnjë
shkollë shqipe. Në qarqet e Gjirokastrës, Vlorës dhe Beratit kishte 163 shkolla
greqisht dhe 80 turqisht - sipas disa statistikave.

Vetëm më 1885, pas shumë përpjekjesh, Shoqëria e Stambollit mundi të merrte lejë
për të hapur një shkollë shqipe private në Korçë. Shoqëria Drita e Bukureshtit u zotua
për shpenximet dhe dërgoi në Korçë një nga antarët e saj, Thimi Markon, të ngarkuar
me atë detyrë. Ky takoi mitropolitin dhe këshillin grekoman të qytetit për t'i bindur që
të futej shqipja si gjuhë e dytë edhe në shkollat greke, por Patrikana e kundërshtoi me
tërë forcën. Autoritetet turke nxuarën të tjera pengesa për lejën, megjithatë shkolla
shqipe mundi të çelej pas një viti përpjekjesh, me drejtor të parë Pandeli Sotirin, i cili
erdhi nga Stambolli për atë punë. Një Shoqëri kombëtare për arësimin shqip u formua
në Korçë me Thimi Markon, Orhan Çerçis Pojanin dhe Jovan Kosturin. Shkolla nisi
t'ecte mirë në vjetët e parë dhe u regjistruan nja 200 nxënës prej të dy besimevet. Por
mitropoliti i Korçës dhe Patrikana u vunë menjëherë në lëvizje duke kërcënuar me
çkishërim prindërit që dërgonin djemtë e tyre në shkollën shqipe. Kështu numri i
nxënësvet u pakësua. Pandeli Sotiri u shtrëngua të largohej. Drejtimin e shkollës e
mori Thanas Sina, pastaj Petro Nini Luarasi dhe më në fund Nuçi Naçi. Parësia
orthodokse e Korçës ishte grekomane, si në çdo vend të Shqipërisë, dhe bashkë me
klerin filloi të çpifte pranë autoritetevet turke se ndihmat nuk mblidhëshin për
shkollën, po për të mbajtur çetat që luftonin kundër Perandorisë.

Ndërkaq, i palodhëshmi atdhetar Petro Nini Luarasi u përpoq të hapte të tjera ose të
këthente shqipe shkollat greqishte rreth Korçës, në gjashtë fshatra të Kolonjës dhe të
Vakëfevet. Më 1892, kryepeshkopi i Kosturit, Fillareti, lëshoi një letër mallkimi
kundër Petro Ninit, me anën e së cilës tmerronte popullsinë orthodokse. "Nuk ka
gjuhë shqipe", thoshte kryepeshkop Fillareti, "por i mallkuari Petro Nini Luarasi
kërkon të prishi ndërgjegjen e Orthodoksvet, t'i këthejë në masonë dhe në protestantë,
të përmbysi themelet e Orthodoksisë, të përdhosi ikonat e shënjta, kryqin, shënjtorët
etj.". Prandaj, vazhdonte Fillareti, "çdo i Krishter, i madh a i vogël, i varfër a i pasur,
burrë apo grua, që dëgjon fjalën e të mallkuarit Petro Luarasi dhe të
bashkëpunëtorëvet të tij, që pranon prej tyre libra ose të holla për t'u bërë mësuës i
shqipes, do të jetë i çkishëruar dhe i nëmur nga Zoti i plotfuqishëm".

Natyrisht, Petro N. Luarasi nuk u tund nga këto profka, dhe shkollat e Kolonjës e të
Vakëfeve u kthyen shqipe në vitin 1893, por nuk vazhduan dot sepse pengesat dhe
vështirësitë ishin shumë të mëdha.

Më 1892, u hap në Korçë e para shkollë shqipe për vajza, nën drejtimin e Gjerasim
Qiriasit, me ndihmat e Shqiptarëve dhe të disa misioneve fetare amerikane edhe
anglezë. Mësimet jepëshin nga Sevastia Qiriasi, Katerina dhe Grigor Cilka, që kishin
studiuar nëpër shkolla amerikane. Më vonë shërbyen si mësuëse edhe Polikseni
Luarasi, Parashqevi Qiriasi, Fanka Efthimi etj. Misionari arnerikan P. Kennedy i
shërbeu mjaft kësaj shkolle, e cila kishte përkrahjen e Misionit Amerikan në Manastir,
e prandaj mundi të mbahej kundrejt autoritetevet turke deri më 1902. Në këtë datë,
Turqit vendosën t'i jepnin fund arësimit shqip në Korçë, megjithëse nuk kishte qënë
kushedi se çfarë mbasi ndodhej në kushte shumë të dobëta kundrejt mjetevet dhe
kulturës helenike, kundrejt shkollavet greqishte e turqishte. Nuçi Naçi, Thimi Marko,
Jovan-Kosturi, Orhan Çerçis Pojani, u arrestuan; ky i fundit, si mysliman, u internua
n'Anadoll. Më 1904 u arrestua edhe Grigor Cilka, ish-drejtori i shkollës së vajzavet.

Atdhetarëvet shqiptarë s'iu mbetej tjetër veçse t'a mësonin shqipen vetë me anën e
libravet dhe të gazetavet që hynin fshehurazi nga jashtë, sidomos nga Bukureshti dhe
nga Sofia. Në radhët e intelektualëvet kishte mjaft që e mësonin, sepse ata që e
ndjenin vehten Shqiptarë, myslimanë e të krishterë, bashkëpunonin ngushtë,
ndihmonin dhe ia kalonin librat njëri-tjetrit. Si qëndra mësimi të shqipes shërbyen
sidomos teqetë e Bektashinjvet, që ishin bërë fole e nacionalizmit shqiptar. Kafazët
shqiptarë nëpër konsullatat e huaja ishin zakonisht bektashinj dhe punonin për të futur
fshehurazi nga jashtë botimet shqipe, nën mprojtjen diplomatike. Natyrisht, arësimi
kombëtar i hapur në këtë mënyrë nuk mund t'arrinte deri në masat e gjera të popullit.

Përpjekjet e Rilindasvet për të zgjuar vetëdijën kombëtare, e cila do të sillte si pasojë


bashkimin e Shqiptarëvet, ndeshën jo vetëm në kundërshtimin e Turqisë dhe të
Patrikanës greke, po edhe në trashëgimin historik e shoqëror të Shqipërisë, i cili ishte
me të vërtet për të vajtuar. Përveç ndarjevet fetare, mbizotëronin copëtimet krahinore,
të cilat kishin rrënjosur tek Shqiptari një botëkuptim që nuk shikonte dot përtej malit,
qytetit apo fisit të tij. Nga kjo gjendje përfitonin feudalë, krerë e bajraktarë, si edhe
kleri, q'e kishin popullin të lidhur pas vehtes dhe losnin lloj lloj intrigash për interesat
e tyre të veçanta. Kush mund t'i bashkonte këta të gjithë tok për një çështje kombëtare
që kërkonte një drejtim dhe një vepërim të vetëm? E pamë sesi përfundoi Lidhja
Prizrendit kur erdhi puna për të kërkuar autonominë. Ashtu kanë përfunduar pothuajse
të tëra luftat dhe përpjekjet e Shqiptarëvet, sepse ka qënë e pamundur që këta të
mblidhëshin të gjithë bashkë. Çdo i huaj, që nga koha e Ilirëvet e gjer më sot, i ka
mposhtur me anën e përçarjevet.

Këtë të vërtetë të hidhur e shprehte fort mirë gazeta Drita e Sofjes kur shkruante, në
Mars 1906: "Deri tashti, Shqiptarët nuk kanë qënë të marrur vesh midis tyre: Gjakova
lufton e vritet, Peja s'ka asnjë lajm. Luma digjet, të tjerët s'dijnë kurrgjë: Bashkimi,
bashkimi, bashkimi e bën fuqinë... tjetër rrugë s'ka".

Prej qëndresës së fundit që bëri Lidhja e Prizrendit, në Prill 1881, dhe gjer në
shpalljen e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ngjajtën mjaft përpjekje e kryengritje në
Shqipëri, me idenë e lëvizjes kombëtare, por copë copë, e pjesë pjesë, pa ndërlidhje
midis tyre, pa një dorë, pa një drejtim, pa një kumandë të vetëme. Nuk po zgjatemi
mbi protestat që kanë bërë Shqiptarët nëpër mbledhjet ndërkombëtare - siç i bënë me
dyzina Kongresit të Berlinit - ose mbi kërkesat që i drejtuan Portës së Lartë për
shkollat shqipe e për autonominë. Sepse protesta është thirrja e të dobëtit; është një
copë letër që hidhet në shportë dhe që askush s'ka kohë t'a këndojë kur nuk sjell me
vehte erën e barutit. Liria nuk lypet duke qarë, se kurrkush s't'a jep, por merret me
forcë. Dhe një popull që s'ka qënë i zoti t'a merrte, s'e ka pasur kurrë. Të shumtët e
Rilindasvet ishin deri diku intelektualë dhe jo njerëz të vepërimit. Kërkonin njëherë t'a
qytetëronin popullin shqiptar, pa mandej ky të hidhej në luftë për autonominë ose
pavarësinë, të cilën ishte duke e lypur vetëm me lutje nga Sulltani. Mirëpo kohët nuk
prisnin gjersa të ndryshohej mendësia e Shqiptarëvet. Planet e shumë Rilindasve, si të
çdo intelektuali që nuk e ka intuitën e burrit të shtetit, ishin abstrakte, qëndronin n'erë,
nuk e rroknin dot realitetin e gjallë të gjëravet politiko-shoqërore. Prandaj pritën
gjersa ra gërmadha turke e i zuri brenda. Pati edhe njerëz të vepërimit, jo se s'pati. Por
këta nuk qenë të një shkalle sa të kumandonin tërë Shqipërinë. Vepërimet e tyre s'e
kapërcenin dot horizontin e krahinës ose të qarkut.
Me këtë kritikë, nuk duam t'iu hedhim ndonjë përgjegjësi Rilindasvet, të cilët bënë aq
sa mundën, sepse në të vërteten autonomia ose pavarësia e Shqipërisë ishte një gjë
tepër e vështirë për t'u arritur. Vështirësitë ishin të brendëshme dhe të jashtëme. Të
brendëshme, sepse ishte gati e pamundur që të mblidhëshin e të përdorëshin të gjitha
energjitë e kombit shqiptar në një drejtim të vetëm; të jashtëme, sepse fuqitë e mëdha,
edhe ato që kishin interes t'a përkrahnin Shqipërinë, donin të mbanin atë gjendje që
ishte në Ballkan, domethënë t'a linin vendin tonë si pjesë të Perandorisë Otomane.
Pastaj, sikur Shqiptarët të ngrinin krye për autonominë, fqinjët ballkanase, Greqia,
Serbia, Bullgaria e Mali-i-Zi, do t'iu binin prapa krahëvet për t'iu rrëmbyer tokat, për
t'i copëtuar. Ndoshta sikur Shqipëria të kishte pasur n'atë kohë një burrë të madh, një
figurë ushtarake të jashtëzakontë - siç ka nxjerrë disa herë kombi i ynë - ose një
komitet drejtonjës shumë të fortë, të përbërë nga njerëz prej të tri fevet, dhe që të
vepronte me dorë të hekurt, mund t'a kishte fituar autonominë duke i thyer ushtëritë
turke. Rreziku i fqinjëvet dhe i ndërhyrjes së fuqivet të mëdha mbetej gjithmonë si një
gjë e mundshme, por nuk besohet që Austro-Hungaria dhe Italia të përdornin forcat e
tyre për t'ia shtruar Shqipërinë Turqisë, ose të lejonin copëtimin e saj ndërmjet
fqinjëvet ballkanase të përkrahura nga Rusia. Problemi i Shqipërisë do të kishte pasur
një zgidhje ndërkombëtare, siç pati më 1903 ai i Maqedonisë, ndoshta edhe më mirë,
se do të përfundonte me fitimin e plotë t'autonomisë. Por është e kotë të merremi këtu
me hamëndje dhe të tjerrim tortë rreth gjërash që nuk u bënë, rreth përfytyrime
heronjsh që s'ia fali n'atë kohë popullit tonë natyra.

Thamë se Lidhja e Prizrendit e nxori problemin shqiptar, në planin evropian, si një


çështje për t'u zgidhur. Nga ana tjetër, tek një pjesë atdhetarësh iu dha hov ndjenjavet
për liri e pavarësi kombëtare. Në të dyja këto vështrime solli si rrjedhim shtrëngimin e
luftës së brendëshme dhe acarrimin e konfliktevet, të cilët shtyhëshin nga jashtë.
Turqia nuk desh të lejonte formimin e një kombësie shqiptare e cila mund t'i delte nga
dora, prandaj bashkëpunonte me Patrikanën për të ndaluar arësimin shqip dhe për të
mbajtur përçarjen fetare. Prapa Patrikanës çfaqej haptazi politika greke për pushtimin
e Toskërisë, politika e megali idhea-s, e cila ishte aq'e egër, aq e pandryshuarshme
n'atë kohë sa ç'është edhe sot. Rusia i shikonte tokat shqiptare si një rezervë për të
zgjeruar shtetet sllavë të Ballkanit nëpërmjet të të cilëvet kërkonte të delte n'ujrat e
ngrohta të Mesdheut. Austro-Hungaria mendonte edhe ajo t'i kishte krahinat shqiptare
si një rezervë për vehte a si një mjet për të penguar shtrirjen e sllavizmit; por politika
e saj e butë, e ngadalshme, nuk ishte aq dinamike sa ajo e Rusisë, dhe ndeshte, nga
ana tjetër, në rivalitetin e Italisë, e cila kishte nisur t'a quante Adriatikun mare
nostrum dhe s'mund të mos interesohej për Shqipërinë.

Mbasi me fuqitë e tyre Shqiptarët s'ishin të zotët të bënin gjëkafshë, iu mbetej të


shikonin nga Austro-Hungaria e nga Italia, ja të kërkonin përkrahjen e ndokujt tjetër,
ose të qëndronin nën Turqinë për t'i shpëtuar copëtimit prej fqinjëvet. Prandaj sa herë
që Turqia ndodhej në luftë me këta, si për shembull me Greqinë më 1897, Shqiptarët
ishin të shtrënguar t'i vinin në ndihmë, sepse mundja Turqisë donte të thoshte
copëtimi i Shqipërisë. Qenë batalionët shqiptarë që iu dhanë dërmën Grekëvet prej
Epirit në Thesali, më 1897. Po ashtu ngjante edhe kundër Sllavëvet. Përpjekjet e
vazhduarshme për një bashkëpunim me Greqinë nuk arrijtën dot kurrë në një
përfundim, sepse Greqia Shqiptarët Orthodoks i shikonte si "Grekë", dhe myslimanët
si "Turq".

E kemi përsëritur kushedi sa herë se përçarjet e Shqiptarëvet ishin fetare, krahinore,


psikologjike, mbasi gjatë shekujve këta qenë mësuar të shikonin drejt qendrash
kulturore të ndryshme, dikush nga helenizmi, dikush nga Lindja islamike, dikush nga
Perëndimi. Gjeografia i kishte mbajtur të thërrmuar në njësira të vogla me një
botëkuptim shoqëror të ngushtë. Këto konflikte u acaruan me përpjekjet e Rilindjes
kombëtare dhe me ndërhyrjet e jashtëme. Myslimanët, që përbënin shumicën, nuk
ishin të gjithë për shkëputjen nga Turqia, qoftë prej fanatizmit fetar të cilin e nxiste
pjesa m'e madhe e klerit syni,qoftë nga frika se mos binin nën sundimin e fqinjëvet të
krishterë, qoftë nga interesat e veçanta të disa bejlerëve e çifligarëve të lidhur ngushtë
me administratën e kalbur turke, qoftë më në fund nga ligji i inercisë. Natyrisht,
fanatizmi fetar për Myslimanët nuk ishte i njëjtë në të gjitha krahinat. Në jugë, për
shembull, vetëm disa bejlerë e çifligarë, si nëpunës e përfitonjës, kishin interes që të
qëndronin me Turqinë, kurse popullsia në përgjithësi ishte e rrëmbyer nga ndjenjat
kombëtare. Në malësitë e veriut përçarjet ishin më shumë krahinore se sa fetare. Në
Shqipërinë e Mesme, ku bektashizmi pati hyrë aty-këtu, ndjenjat kombëtare kishin
bërë përparim, po edhe fanatizmi turkoman qëndronte mjaft i fortë siç do t'a tregojnë
ngjarjet e mëvonshme. Kurse Kosova, ndonëse myslimane me bindje, u bë për disa
kohë qendra e lëvizjes dhe e kryengritjevet kombëtare kundër Portës së Lartë, e cila
s'ishte e zonja t'i siguronte mprojtjen nga një pushtim i mundshëm i Serbisë ose edhe i
Austrisë. Por lufta për autonominë gjeti kurdoherë aty kundërshtimin e feudalëve
turkomanë dhe të një pjese të klerit syni. Në Shkodër, fanatizmi i Myslimanëvet ishte
një gjë e mërzitëshme. Po edhe tek të Krishterët, megjithëse një pjesë e mirë e klerit
ishte mendim-gjerë, zhvilloi kulturën dhe i solli shërbime çështjes kombëtare duke
mbajtur lidhjet me Perëndimin, kishte edhe asish që s'e kuptonin dot Shqipërinë përtej
krahinavet katolike.

M'e çuditshme paraqitej gjendja e Orthodoksvet. Ata që ndodhëshin jashtë atdheut,


nëpër kolonitë, i kanë dhënë ndoshta ndihmesën më të madhe Rilindjes kombëtare kur
mendojmë se edhe Arbëreshët e Italisë ishin orthodoks unitë. Kurse ata që jetonin
brenda në Shqipëri u treguan grekomanë shumica, të shkelur nga kultura helenike dhe
nga ndikimi i klerit grek. Pati qarkulluar mendimi për të krijuar një Kishë kombëtare
më vehte, një Ekzarkat shqiptar, të pavarur nga Patrikana. Por brenda në Shqipëri,
atdhetarët orthodoks q'e ushqenin këtë mendim ishin të pakët si numër megjithëse të
flakët nga ndjenjat. Iu mbetej barra Shqiptarëvet orthodoks të kolonivet, të cilët e
kuptonin rëndësinë e këtij problemi dhe i mundonte shumë zgidhja e tij. Sotir Peci, në
gazetën Kombi që delte në Boston, pati propozuar këthimin e Shqiptarëvet
orthodoks n'unitizëm, domethënë duke mbajtur liturgjinë e Kishës orthodokse të
shkëputëshin nga Patrikana greke dhe të lidhëshin me Papën.
Gazeta Shqipëria, n'Egjyptë, mendonte për një këthim në protestantizëm që mund t'a
përqafonin, sipas asaj, edhe Shqiptarët e besimeve të tjera. Kurse Fan Noli, i cili
pohonte me keqardhje se ishte ndarja fetare qe po i mbante Shqiptarët nën Turqinë
dhe që i bënte Orthodoksit t'i shikonin si armiq vëllezërit e tyre myslimanë e katolikë,
e gjente plagën e kësaj sëmundjeje në shkakun që asnjë nga fetë nuk thuhej në gjuhën
shqipe dhe se kleri i tyre ishte i huaj ose me ndjenja të huaja. Sipas Fan Nolit, mjerimi
vinte jo aq nga ndryshimi i fevet se sa nga kleri drejtonjës i tyre, i cili duhej t'ishte
shqiptar dhe me ndjenja kombëtare.

Siç shihet, përçarjet e Shqiptarëvet nuk kishin karakter klasësh shoqërore në kuptimin
ekonomik të fjalës. Dhe nuk kanë pasur kurrë një karakter të këtillë deri pas vitit
1920. Nëpër qytetet ishte formuar si gjithmone një borgjezi tregëtarësh dhe zejtarësh,
por kjo nuk loste ndonjë rol politik të rëndësishëm, mbasi në Shqipëri fuqinë e kishin
ata që kumandonin masat fshatare e malësore, domethënë bejlerët, bajraktarët,
agallarët, kapedanët dhe kleri. Prej këtyre i ka ardhur vendit çdo e mirë ose e keqe,
por sidomos shumë të këqia dhe fort pak të mira. Sepse këta ishin gjithmonë shumë të
zotët për të prishur, për të çthurur, për të shpërndarë fuqitë kombëtare, dhe rrallëherë
për të ndrequr.

Fshatarët, dhe aq më pak punëtorët, nuk e kanë pasur në Shqipëri, edhe pas vitit 1920,
vetëdijën e një klase politike. Ata që flasin për lëvizje fshatarësh ose punëtorësh deri
në këtë datë, shohin ëndërra me sy hapët ose duan të rrahin ujë në havan. Janë
sidomos "historianët" komunistë që tregojnë këso prallash ose kodra pas bregut, duke
i gjykuar ngjarjet e atëherëshme sipas mendimevet të sotshme. Është e vërtetë se
fshatarë e malësorë kishin bërë kushedi sa kryengritje krahinore kundër Turqisë,
kundër autoritetevet, por qëllimi ishte për të mos paguar taksat, për të mos vajtur
ushtarë, për të jetuar sipas zakonevet, dhe jo për të marrë fuqinë politike ose për të
ndarë tokat e bejlerëvet. Kjo s'iu shkonte nëpër mend si një gjë e mundshme as
bujqvet më të shtypur që vuanin për bukën e gojës. Edhe kryengritja e Rebelëvet në
Shqipërinë e mesme, më 1914-1915, ishte lëvizje e shtytur nga fanatizmi fetar dhe jo
për t'iu marrë tokat bejlerëvet siç duan t'a tregojnë "historianët" e regjimit të sotshëm.
Nëse fshatarët e Mallakastrës me Rrapo Hekalin në krye, kapën të gjallë dhe e
pushkatuan në Qafën e Sinjës Isuf bej Vrionin më 1847, ishte sepse ky erdhi t'i
shtronte si kryetar i administratës turke për t'i futur nën ligjet e Tanzimatit, dhe jo se
ata kishin idenë e reformës agrare ose të luftës së klasëvet.
Sigurisht, tek Rilindasit ka pasur njerëz me ide përparimtare, që mendonin për
reforma shoqërore-ekonomike, q'e urrenin klasën shfrytëzonjëse të feudalëve e
bejlerëve, që kërkonin zhdukjen e titujvet dhe barasinë e të drejtavet, por këto ishin
ndjenjat ose gjykimet e një numri të vogël intelektualësh dhe jo të masavet të gjera.
Shahin Kolonja, në gazetën Drita, shkruante se bejlerët bëhëshin miq të qeverisë turke
për të pasur në dorë forcën që t'a ripnin më kollaj popullin e varfër, duke e prurë
Shqipërinë n'atë gjendje të mjeruar. Në një tjetër artikull, më 1905, gazeta Drita
goditte të gjithë ata që mbahëshin si parësi, bejlerë, efendilerë e arhontë, të cilët i
quante hajdutë e vjedharakë, shërbëtorë të Turqvet dhe të Grekëvet, ose që
këthehëshin sot Turq e nesër Grekë me qëllim përfitimi, dhe vetëm kur kjo s'iu vlente
më, bëhëshin Shqiptarë, shkonin në Londër e në Paris, ku nisnin të shkruanin
fletushka për t'u treguar atdhetarë të zjarrtë.

Me këtë frymë edhe vjershëtari Asdren i dërgonte Faik Konitzës një letër që u
botua n'Albania, më 1903, me titullin "Dy-tri fjalë për oxhakësinë". Asdreni tregohej
mprojtës i vegjëlisë me idetë e Revolucionit Frëng liri, barasi, vëllazëri. S'e duronte
dot "ndarjen e kombit në shkallë, me zotër, me robër". Nëqoftëse Shqipëria ka për të
fituar pavarësinë, mos e fitoftë kurrë, thoshte ai, po të jetë se të gjithë Shqiptarët nuk
do të gëzojnë të drejtat e tyre. Shqiptarët duhet të jenë të barabartë përpara ligjevet.
"Në është që ca - vazhdonte Asdreni - duan të marrin mprimin (mprojtjen) e
oxhakësisë, aq më tepër ne duhet të marrim mprimin e vegjëlisë, se jo parësia është
shtyll' e kombit, po vegjëlia. Ajo vegjëli që derdhet kurdoherë në çdo rrezik kur
parësia rri dhe vështron për së largu, ajo vegjëli që është përpjekur, edhe sot përpiqet
me nevoja të rënda, të cilat nevoja parësia s'i ndjen... se lëpin këmbët e Anadollakëve
për ca ergjënt !... Është detyra jonë të mos e lëmë vegjëlinë ndë thonjtë e mprehta të
parësisë, po të kërkojmë t'i shërojmë plagët e gjakta, të dhëmburit e të cilavet e ndjen
gjer në palcët". Megjithatë, Asdreni e pranonte se kishte edhe bejlerë që ishin
atdhetarë te vërtetë dhe që sillëshin shumë mirë me këdo.

Vjersha ose thumba kundër bejlerëvet gjejmë edhe tek shkrimtarë të tjerë t'asaj kohe,
si për shembull tek Çajupi. Por këto ishin ndjenja e mendime intelektualësh të ndikuar
nga idetë shoqërore q'atëhere qarkullonin n'Evropë. Kurse në Shqipëri, këto ide nuk
kishin bërë akoma rrugë në masat popullore. Parësia përbënte n'atë kohë kuadrat e
popullit shqiptar, i cili s'mund të lëvizte veçse i udhëhequr prej asaj. Bejlerë,
bajraktarë, agallarë, etj., ishin klasa drejtonjëse e krijuar prej shekujsh nga historia dhe
gjeografia e vendit, kishin një funksion në shoqërinë shqiptare, si gjëndërrat në një
organizëm, dhe s'mund të zhdukëshin veçse pas një evolucioni - të shkurtër apo të
gjatë - kur populli të nxirte një tjetër sistem gjëndërrash, domethënë të tjera kuadra
udhëheqëse. Prandaj lufta e brendëshme n'atë kohë ishte ndërmjet krerëvet, ose
ndërmjet fevet, dhe jo ndërmjet klasëve shoqërore në kuptimin ekonomik të fjalës.
Megjithatë populli jetonte në mjerim dhe vuante nga uria, kur ishte puna për të
lëvizur, shkonte pas beut, agajt ose bajraktarit të krahinës, domethënë pas atyre që e
shtypnin, e shfrytëzonin, dhe më të shumtën e herës e bënin të vritej për interesat e
tyre të veçanta a sepse ishin të paguar prej agjentësh të huaj. Në këtë lodër të shëmtuar
hynte, natyrisht, edhe kleri, i cili fuste spica dhe shtynte andej ose këtej. Por kjo ishte
mendësia e popullit, se ashtu ishte mësuar prej shekujsh. A nuk vuanin shtresat
popullore t'Evropës së Perëndimit në Kohën e Mesme? Megjithatë, luftat bëhëshin
ndërmjet feudalëvet, e jo ndërmjet popullit dhe këtyre.

Shkaku i përçarjevet shqiptare ishte dhe është ai që kemi treguar qysh në fillim të këtij
studimi: se Shqiptarët s'kanë mundur të formonin kurrë gjatë historisë së tyre një vatër
kulturore të brendëshme dhe një bosht politik kombëtar rreth të cilëve të mblidhëshin
si njësi e bashkuar. Kanë vështruar gjithmonë drejt qendrash fetare e politike të
jashtëme, duke i përzjerë tok fe e politikë. Vijat e kësaj mendësie iu kanë mbetur edhe
sot në thellësitë e pavetëdijës, megjithëse nuk duan t'a pohojnë. Shikojnë gjithmonë
përjashta se kush po i "çliron" e kush po i "shpëton", dhe jo në forcat e tyre. Kanë më
shumë besim tek njëxhandar i huaj se tek një hero shqiptar. Edhe mendësia e ngushtë
e krahinarizmës, e bajraktarizmës, e bejlerllëqeve, e agallëqeve dhe e tarafeve nuk
është zhdukur akoma nga pavetëdija e shumë Shqiptarëve, por çfaqet në një tjetër
formë, në formë "partish politike" : çdo grup tre-katër vetash do të dëshironte t'ishte
mundësisht një "parti", por me kusht që t'i vinte radha çdo njërit për të qënë
"kryetar!". Sigurisht, shërimi i plagëvet psikike është m'i vështirë dhe shumë m'i
ngaldalshëm nga ai i plagëvet trupore. Po kur t'i kemi kuptuar mirë shkaqet e tyre,
është fillimi i shërimit.

Se çfarë pengese ishte për bashkimin ndarja fetare (që donte të thoshte njëkohësisht
ndarje kulturore e politike) e kishin kuptuar të gjithë shkrimtarët e Rilindjes dhe deri
atdhetarët e thjeshtë. Duke përsëritur një fjali të Sami Frashërit, "Shqiptari ka qënë
shqiptar përpara së të bëhet i krishter a mysliman", shkruante Shahin Kolonja në
gazetën Drita. Dhe iu këthehej Myslimanëvet: A dinte turqisht Profeti? A ka thënë
kurrë që duhet të nxëmë këtë gjuhë dhe të lëmë mënjanë tonën? Pastaj klerit
orthodoks e katolik: A nuk ju ka urdhëruar Krishti që t'i ndriçoni njerëzit në gjuhën e
tyre?... Tani ç'janë gjithë këto gjuhë të pakuptuarshme me të cilat po na ndani dhe na
ngatërroni? Pse nuk dëgjoni fjalën e Zotit, në vend që të përhapni idetë e Patrikanës
dhe t'Ekzarkatit, që janë veglat e Athinës dhe të Sofjes? Një klerik që nuk është
Shqiptar, por Grek, Italian ose Austriak, ç'mund të bëjë në Shqipëri? Si do t'a bëjë ai
këtë komb t'a kuptojë fenë, kur nuk i flet shqip?

Si shihet, mendimet e Rilindasvet mbi shkakun e përçarjes së Shqiptarëvet janë po ato,


veçse ata i vënë gishtin sidomos plagës fetare dhe jo aq tepër ndarjevet krahinore, të
cilat nuk ishin më pak të rrezikshme. Sepse këto, duke e kufizuar botëkuptimin e
Shqiptarit në rrethin e krahinës, fuqizonin kryetarin e saj dhe iu jepnin lidhjevet
shoqërore një karakter personal. Prandaj në Shqipëri, edhe gjer pas vitit 1920, jeta
politike vërtitej rreth personash, klikash, tarafesh, ku loste rolin e tij edhe kleri i të tri
fevet, dhe nuk pat pasur kurrë parti ose rryma politike t'organizuara me një program të
caktuar, në kuptimin modern të fjalës.

Për t'i mbledhur bashkë të gjitha këto koka, të cilat punohëshin prej lloj lloj intrigash
të jashtëme dhe shkonin andej nga kishin interes, nuk ishte një punë fort e lehtë. Siç
thamë më sipër, mund t'ishte bërë ndoshta sikur fati t'i kishte falur Shqipërisë një
burrë të jashtëzakonshëm, ose po të kishte pasur një komitet drejtonjës shumë të fortë.
Mjerisht, kjo nuk ngjau. Rilindasit e ndjenin dobësinë e brendëshme të lidhjevet
shqiptare e prandaj, në programin politik të tyre, nuk shkonin përtej autonomisë.
Shumica e mendonte këtë në kuadrin e Perandorisë Otomane, të tjerë nën mprojtjen e
Austro-Hungarisë, sepse dyshonin nëse Shqipëria do të mund të qëndronte mbë
këmbët e saja që në ditët e para si shtet i pavarur. E mendonin për një kohë të dytë
pavarësinë e plotë, kur t'ishin forcuar lidhjet e brendëshme dhe pozita e jashtëme e
Shqipërisë si shtet. Natyrisht, frika nga një ndërhyrje e fqinjëvet e forconte më shumë
akoma këtë dyshim.

Mbasi shikuam vështirësitë e brendëshme për bashkimin e luftës dhe t'energjivet të


kombit shqiptar në një drejtim të vetëm - në drejtimin e autonomisë ose të pavarësisë -
le të hedhim tani një vështrim të jashtëm mbi gjendjen ndërkombëtare dhe ndërhyrjet
e fuqivet të mëdha në Ballkan, ndërhyrje të cilat e penguan vazhdimisht shkëputjen e
Shqipërisë si një shtet autonom.

Pas Kongresit të Berlinit, fuqitë e mëdha, duke bërë secila llogaritë e saja, u gjetën në
një mendje për të mbajtur statu quo-në (domethënë mos-ndryshimin e gjendjes) në
Ballkan. Kancelari i Gjermanisë, Bismarck-u, i cili u mbiquajt kancelari i hekurt desh
nga njëra anë t'a mbante Francën të veçuar, që kjo të mos bënte dot ahmarrje për
disfatën e pësuar më 1870-1871, dhe n'anën tjetër t'a ndalonte Austrinë që të këthehej
për t'ushtruar ndikimin e dikurshëm mbi kombësitë gjermanike. Kështu Austrisë nuk i
mbetej tjetër mundësi se nga të shtrihej veçse Ballkanit dhe rruga e Selanikut. Por
drejt Ballkanit varej edhe pesha e Rusisë për të dalë në Ngushticat. Që të pengonte
afrimin midis Francës dhe Rusisë - kjo e fundit ngeli e pakënaqur prej vendimevet të
Kongresit të Berlinit - dhe të mbante njëkohësisht me vehte Austro-Hungarinë,
Bismarck-u pati mundur të krijonte dhe të përsëriste Aliancën e Tre Perandorëvet (i
Gjermanisë, i Rusisë dhe i Austro-Hungarisë). Por mbasi n'atë kohë kishte dalë në
skenë edhe Italia, sadoqë e dobët, Bismarck-u desh t'a afronte edhe këtë, e cila ishte
shqetësuar nga pushtimi i Tunizisë prej Francës. Kështu u nënshkrua Alianca
Tripalëshe ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë, më 20 Maj 1882. Kjo
aliancë kishte sidomos për qëllim t'i bënte kundërpeshë ndërhyrjes së Rusisë, ndoshta
edhe të Francës, në Ballkan. Por Anglia dhe Franca, që kishin koloni dhe interesa të
mëdha në Lindje, kërkonin vetëm të mbahej statu quo-ja në Ballkan, për të ruajtur
pozitat e tyre të siguruara me kohë në Perandorinë Otomane dhe për të ndaluar daljen
e Rusisë në Ngushticat ose t'Austro-Hungarisë në Selanik, gjë që do t'a përmbyste
ekuilibrin e forcavet dhe do të hapte përsëri grindjen e çështjes së Lindjes. Kurse
Italia, që s'kishte shumë peshë, i trembej fort zgjerimit t'Austro-Hungarisë në Ballkan,
sidomos në bregun lindor t'Adriatikut, prandaj donte edhe ajo që të mbahej statu quo-
ja, domethënë ato vende të mbetëshin ashtu siç ishin, nën Turqinë.

Fuqitë drejtpërdrejt t'interesuara në Ballkan ishin Austro-Hungaria dhe Rusia, prandaj


këto të dyja e mbanin balancën, domethënë për çdo ndryshim të gjendjes, bisedimi,
ndeshja ose marrëveshja e parë do të bëhej ndërmjet këtyre. N'Aliancën e Tre
Perandorëve, këto ia kishin njohur njëra-tjetrës këtë të drejtë, që asnjë ndryshim të
mos bëhej në Ballkan pa pëlqimin e të dy palëvet. Kishin ndarë deri diku edhe zonat
përkatëse t'interesavet të tyre: synimet e Austrisë do të përmbahëshin n'anën
perëndimore të gadishullit, ku përfshihej edhe Shqipëria. Më vonë Gjermania nisi
t'ushtronte në Stamboll një ndikim të madh, i cili erdhi duke u forcuar dhe duke zënë
vendin që kishte mbajtur deri atëhere në kryeqytetin turk diplomacia angleze. Kjo
shkaktoi pak nga pak largimin e Anglisë prej çështjevet ballkanike. Më 1887,
Gjermania lidhte një traktat të veçantë me Rusinë, së cilës i njihte të drejtën e
mbizotërimit në Bullgari.

Përsa iu përkiste tokavet shqiptare në lidhje me fuqitë e mëdha, (përveç lakmivet të


fqinjëvet ballkanase) rivaliteti ishte sidomos ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë.
Francesco Crispi e kishte shpallur në Parlamentin italian, që më 1880, se Austro-
Hungaria duhej të mbetej e kënaqur me pushtimin e Bosnjës e të Herzegovinës, dhe të
mos kërkonte të shtyhej më tutje. "Në pajtim me interesat dhe parimet tona, ne duhet
të jemi mprojtësit dhe miqtë e shtetevet të vegjël në Ballkan", shtonte Crispi.

Bismarck-u i kuptonte qëllimet e Italisë në lidhje me Shqipërinë dhe, nga ana tjetër,
nuk kishte fort besim tek qëndrimi i Rusisë n'Aliancën e Tre Perandorëvet. Ndoshta
me shtytjen e tij, kur u përsërit Alianca Tripalëshe ndërmjet Gjermanisë, Italisë,
Austro-Hungarisë, më 20 Shkurt 1887, për të siguruar Italinë, Austro-Hungaria
nënshkroi me këtë një traktat të veçantë me anën e të cilit të dy shtetet zotohëshin të
mbanin statu quo-në në Ballkan, në tokat e Turqisë të brigjevet dhe t'ishujvet
t'Adriatikut dhe t'Egjeut. Nëqoftëse mbajtja e statu quo-së do t'ishte e pamundur, të dy
shtetet do të pyetëshin midis tyre dhe do të binin n'ujdi se ç'duhej të bënin, për
pushtime tokash a çdo lloj përfitimi, pa shkelur interesat e njëri-tjetrit. Siç shihet, ky
traktat njihte edhe Italinë si një fuqi drejtpërdrejt t'interesuar në Ballkan, përveç
Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Por Italia politikën ballkanike e kufizoi sidomos rreth
Shqipërisë e në miqësinë me Malin-e-Zi, dhe nuk pati peshën e dy fuqivet të tjera.
Alianca Tripalëshe u përsërit disa herë duke përmbajtur edhe marrëveshjen e veçantë
ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë në lidhje me Ballkanin. Por çështja e
Shqipërisë mori një rëndësi më të madhe për të dy këta shtete, sidomos pas vitit 1900.
Austro-Hungaria nuk donte që bregu i Adriatikut, me Durrësin dhe Vlorën, të binte
nën sundimin e një fuqie tjetër.

Kur nisi kryengritja e Kretës që shkaktoi luftën greko-turke më 1897, mundësia e një
ndryshimi të statu quo-së në Ballkan e bëri Austro-Hungarinë t'i kushtonte tërë
kujdesin çështjes shqiptare. Qarqet politike dhe ushtarake të Vienës u gjetën në një
mendje se Shqipëria kishte për Austrinë një rëndësi të radhës së parë. Por mbasi
pushtimi i saj paraqitej i vështirë, se do të ndeshte, përveç të tjerash, në kundërshtimin
e Italisë, Viena mendoi të përkrahte krijimin e një Shqipërie autonome ose të pavarur,
mundësisht nën mprojtjen e Austro-Hungarisë, e cila lakmonte për vehte Durrësin dhe
Vlorën. Sa për krahinat e jugës, ku ndihej fryma e helenizmit, diplomacia austriake
mund të hynte në bashkëfjalim me Greqinë sesi do të rregullohëshin. Këto ishin,
natyrisht, parashikime në rast se do të shkatërrohej Perandoria Turke. Njëkohësisht
me këto plane, Austro-Hungaria u mundua t'arrinte në një marrëveshje me Rusinë, në
mbarim të Prillit 1897, për të ruajtur statu quo-në në Ballkan, i cili do të mbetej i
ndarë si gjithnjë në dy zona ndikimesh: n'atë të Rusisë, nga lindja, dhe n'atë t'Austro-
Hungarisë n'anën perëndimore. Si shihet, Italia nuk u përfill në këto bisedime.
"Marrëveshja" austro-ruse ishte vetëm një shkëmbim fjalësh, ku thuhej se të dy palët
njihnin interesat e njëra-tjetrës dhe se do të përpiqëshin të largonin çdo grindje
rivaliteti që mund të prishte paqen e Evropës. Po kur Viena, pas pak ditësh, i paraqiti
një notë ministrit të Punëve të Jashtëme të Rusisë, në të cilën parashtronte kërkesat e
saja në rast se nuk do të mund të mbahej statu quo-ja në Ballkan, u gjend përpara një
kundërshtimi të pandryshuar. Viena kërkonte për vehte aneksimin e Bosnjës e të
Herzegovinës2 dhe mundësisht sanxhakun e Novi Pazarit, pastaj krijimin e një shteti
shqiptar të pavarur, i cili do të shtrihej që nga Janina gjer në Shkodër, me një zgjerim
t'arësyeshëm nga ana e lindjes, dhe do të mbetej jashtë çdo sundimi të huaj. Tokat e
tjera turke të gadishullit do të ndahëshin ndërmjet shteteve të Ballkanit sipas parimit të
kombësivet. Rusia nuk i pranoi këto kërkesa të cilat i gjente të parakohshme, si
aneksimin e Bosnjës e të Herzegovinës ashtu edhe pavarësinë e Shqipërisë. Pajtohej
me Vienën vetëm përsa i përkiste mbajtjes së statu quo-së në Ballkan. Ndërkaq,
Greqia u mund prej Turqisë dhe kërkoi armëpushimin. Gjendja në Ballkan mbetej
ashtu si ishte.

Italia, nga ana e saj, dyshonte se mos Austro-Hungaria pregatitej dhe priste rastin për
t'a gëlltitur Shqipërinë. Pati disa herë nxehje mendimesh dhe shtytje për vepërim:
qarqet politiko-kulturore, q'e shikonin Adriatikun si det italian, kërkonin nga qeveria
masa energjike për të mprojtur "të drejtat" dhe interesat e Italisë në Shqipëri. Nuk
mungonin as planet: për shembull ai i Profesor Baldacci-t, i cili parashihte formimin e
një principate malazezo-shqiptare që të përfshinte Shqipërinë e veriut, kurse ajo e
jugës mund të hynte si një pjesë më vehte nën mprojtjen e Italisë. Miqësia me Malin-
e-Zi erdhi duke u forcuar më shumë kur Victor Emmanuel III u martua me Helenën, të
bijën e Knjaz Nikollës, më 1889. Italia i shtoi atëhere shkëmbimet dhe marrëdhëniet
me Malin-e-Zi, dërgoi kompani ndërtimesh, nisi lidhje kulturore etj. Knjaz Nikolla,
duke përfituar prej miqësisë me Italinë, desh të bënte për vehte krerët e malësivet
shqiptare katolike të veriut. Kjo e shqetësoi Austro-Hungarinë, e cila ndërhyri me
anën e klerit dhe duke iu shpërndarë ndonjë ndihmë malësorëvet.

Qëllimet e Italisë në Shqipëri i përkrahte edhe Franca, e cila e shtynte në këtë drejtim,
qoftë për t'a mbajtur larg nga Afrika veriore, qoftë për t'a kthyer kundër Austro-
Hungarisë dhe mundësisht t'a shkëpuste prej Aliancës Tripalëshe. Megjithatë, Italia
qëndroi në këtë aliancë deri më 1914, por pati shpeshëherë me Austro-Hungarinë
bisedime e shkëmbime notash, një luftë politike të vërtetë, rreth çështjes shqiptare. Në
kryengritjen e Kretës, më 1897, Italia, në kundërshtim me aliatët e saj, u tregua
përkrahëse e Greqisë.

Vijën politike që kishte caktuar kundrejt Shqipërisë Austro-Hungaria ia bëri zyrtarisht


të njohur Italisë në Nëntor 1897, kur u takuan në Monza ministri austriak i Punëve të
Jashtëme, Goluchowski, me kryeministrin italian, Rudini, i shoqëruar nga ministri i tij
i Punëve të Jashtëme, Visconti Venosta. N'atë pjekje, Goluchowski iu tha
bashkëfolësvet se Austro-Hungaria nuk kishte ndër mend t'a pushtonte Shqipërinë, por
as nuk lejonte që një tjetër fuqi të shkelte n'atë vend. Ministri Venosta iu përgjigj
menjëherë se edhe Italia nuk kishte për qëllim pushtimin e Shqipërisë. Atëhere të dy
palët ranë n'ujdi që, në rast se Turqia do të humbiste Maqedoninë, t'a bënin Shqipërinë
ose autonome në kuadrin e Perandorisë Otomane, ose principatë të pavarur.

Megjithëse marrëveshja e shprehur në Monza mbeti si baza e politikës së përbashkët


austriake dhe italiane kundrejt Shqipërisë deri në shpalljen e pavarësisë, më 1912, e në
caktimin e kufijvet dhe të Statutit të parë të shtetit shqiptar, rivaliteti i dy fuqivet midis
tyre nuk pushoi kurrë për të shtrirë secila në këtë vend ndikimin e saj me qëllim
pushtimi, ose shfrytëzimi, gjë që e dëmtoi shumë kombin tonë fatkeq.

Italia disa herë u tregua m'e gatishme për të përkrahur autonominë shqiptare kundrejt
Turqisë, si për shembull më 1903, kur u vu në planin ndërkombëtar çështja e
reformavet për Maqedoninë. Por Austro-Hungaria ishte m'e forta, kishte lidhje
tokësore me gadishullin ballkanik, dhe rolin kryesor e loste ajo në çështjen shqiptare.
Më 1903, bashkëpunoi me Rusinë për të mprojtur të drejtat e popullsisë maqedonase;
më 1908, përkrahu pavarësinë e Bullgarisë dhe aneksoi për vehte Bosnjën e
Herzegovinën, të cilat i mbante të pushtuara që nga koha e Kongresit të Berlinit, por
nuk bëri as një çap, as një ndërhyrje pranë Portës së Lartë për t'i mbledhur tokat
shqiptare në një tërësi të vetëme, autonome. Priti gjer më 1912, kur Serbia po delte në
Durrës dhe Greqia në Vlorë. Por atëhere ishte tepër vonë, se shtetet ballkanikë ishin
pregatitur me kohë dhe kishin tërë përkrahjen e Rusisë. Pastaj, në fillim të këtij
shekulli, të tjera lidhje qenë krijuar ndërmjet fuqivet të mëdha. Kundrejt Aliancës
Tripalëshe ishte formuarEntente-a (Marrëveshja) ndërmjet Francës, Rusisë dhe
Anglisë. Antagonizmi franko-gjerman e shtyti Francën t'i shikonte Sllavët si aliatë të
natyrshëm, të lidhej ngushtë me Rusinë dhe të përkrahte bashkë me këtë, e deri diku
me Anglinë zgjerimin e shteteve të Ballkanit në tokat shqiptare.

Rivaliteti ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë u bë ndoshta shkaku kryesor që


Shqipëria mbeti nën Turqinë gjer më 1912, sepse secila prej atyre fuqive donte t'a
pushtonte për vehte, kur t'i vinte koha, dhe nuk i ndihmoi kurrë Shqiptarët që të
shkëputëshin prej Turqisë. Shpeshëherë qenë çfaqur mendime, sadoqë jo zyrtarisht,
për ndarjen e Shqipërisë midis dy fuqivet rivale. Italisë i interesonte sidomos Vlora
dhe pjesa që sundonte Ngushticën e Otranto-s, për sigurimin e saj n'Adriatik. Kurse
Austro-Hungaria, përveç interesavet që kishte edhe ajo n'Adriatik, mendonte për një
Shqipëri më të gjerë nga ana e veriut dhe e lindjes, për t'ia vënë si një ndalesë shtrirjes
së sllavizmit. Sidoqoftë, politika e të dy shtetevet u kufizua në mbajtjen e statu quo-së,
po rivaliteti për të zgjeruar seicili ndikimin e vet në Shqipëri vazhdoi i fortë dhe i
pandërprerë, në fushën e kulturës, të propagandës dhe të shkëmbimevet ekonomike. Si
njëra edhe tjetra nga të dyja fuqitë u përpoqën të hapnin shkolla sa më shumë, të
shtonin numrin e konsullatavet duke e shtrirë edhe më tej vepërimin e tyre, të
zgjeronin tregëtinë. Në fushën e arësimit Austro-Hungaria ndihmohej prej klerit
katolik, po edhe Italia përfitonte nga lidhjet e vjetra kulturore me Shqipërinë dhe i
mbante mirë shkollat e saja laike. Përfitonte gjithashtu nga lëvizja e Arbëreshëvet, të
cilët i vinte përpara si mbulesë. Këta thërrisnin kundër ndërhyrjevet t'Austro-
Hungarisë në Shqipëri por, duke qënë nënshtetas italianë, nuk e ndjenin se edhe Italia
donte të bënte po atë gjë. Arësimit shqip dhe kulturës kombëtare u përpoq t'i jepte
shtytje sidomos Austro-Hungaria, e cila nuk u kursye në këtë drejtim; kurse nëpër
shkollat italiane mësimet jepëshin n'italisht. Turqia e shikonte me sy të mirë
veprimtarinë e Italisë, për të kundërbalancuar Austro-Hungarinë të cilën e druante më
shumë. Porta e Lartë e kuptonte se rivaliteti ndërmjet të dyjave shërbente për t'a
mbajtur Shqipërinë vazhdimisht nën Perandorinë Otomane. Gjer nga mbarimi i
shekullit XIX, pothuajse tri të katërtat e tregëtisë së jashtëme të krahinavet shqiptare
bëhëshin me Austrinë. Por pastaj shoqëritë italiane të lundrimit si edhe shoqëritë
tregëtare filluan të hapnin agjensitë e tyre nëpër skelat dhe qëndrat e brendëshme të
Shqipërisë, sidomos të vilajetit të Janinës, kështu që shkëmbimet me Italinë erdhën
duke e shtuar vëllimin. Nisën të vendosëshin aty-këtu edhe sipërmarrje italiane për
shfrytëzime të ndryshme. Kur, më 1908, Austro-Hungaria bëri të njohur planin për
ndërtimin e një hekurudhe prej Sarajevos në Mitrovicë dhe prej këtej në Selanik -
ndërmarrje e madhe drejt detit Egje - Italia nxori një tjetër plan për të ndërtuar një
hekurudhë prej Vlorës në Manastir, e cila do të ndiqte deri diku drejtimin e Via
Egnatia të Romës së vjetër.
Natyrisht, seicili prej dy shtetevet rivalë mundohej të bënte për vehte edhe Shqiptarët,
domethënë klasën drejtonjëse, klerin dhe intelektualët. Kleri katolik, në pjesën më të
madhe, ishte për Austro-Hungarinë. Po ashtu edhe disa intelektualë, si Faik Konitza,
Sotir Peci, Shahin Kolonja, Kristo Luarasi e të tjerë. Zëdhënësi m'i dukshëm i klerit
katolik n'atë kohë, Prenk Doçi, abati i Mirditës, besonte se Austria ishte i vetëmi shtet
që s'kishte për qëllim t'a pushtonte Shqipërinë, por veç t'a ndihmonte të bëhej e
pavarur për t'a pasur mike dhe aliate. Kurse Italia ishte m'e rrezikshme nga çdo tjetër
fuqi, mendonte Prenk Doçi, se kishte nevojë t'a pushtonte Shqipërinë për t'a
shfrytëzuar dhe kolonizuar, domethënë për të hedhur aty një pjesë të popullsisë së saj
që shtohej vazhdimisht. Edhe intelektualët e tjerë anonin nga Austria pak a shumë për
këto arësye, sepse shpresonin tek ajo për mprojtjen, zhvillimin dhe lirinë e Shqipërisë.
Po edhe Italia kishte aty-këtu përkrahësit e politikës së saj, duke ngjallur herë shpresa
e herë dyshime, sipas natyrës së ndërhyrjevet. Në fillim dha shpresa se dukej sikur do
të ndihmonte autonominë e Shqipërisë, sidomos që, n'atë kohë, një nga udhëheqësit e
saj më të mëdhenj ishte Francesco Crispi, Arbëresh nga Siqelia. Mirëpo kur nisi t'a
zgjeronte veprimtarinë e brendëshme, të vinte dorë kudo me ndërmarrjet tregëtare,
hapjen e shkollavet etj., zu të jepte përshtypjen se qëllimi i saj ishte shfrytëzimi,
pregatitja e kolonizimit, dhe jo autonomia ose pavarësia e Shqipërisë. Mjerë ai komb i
robëruar që shpreson të lirohet me "ndihmën" e huaj !

Sa për marrëveshje me popujt e tjerë të Ballkanit, Shqiptarët patën provuar vetëm me


Grekët, mbasi ishin dy kombet më të vjetër të gadishullit, kishin pasur lidhje historike
e kulturore prej më se dy mijë vjetësh dhe, siç tha Bismarck-u, ishin aliatë të
natyrshëm kundër Sllavëvet dhe Turqvet. Duk' me qënë se n'atë kohë besohej edhe në
legjendën "pellazgjike", e cila na nxirte gjiri me Grekët, disa Shqiptarë, sidomos prej
Orthodoksvet, patën menduar se të dy kombet mund të formonin një konfederatë nën
dinastinë mbretërore greke, pak a shumë siç ishin atëhere Norvegjia me Suedinë. Këtë
mendim e ushqeu për ca kohë edhe Thimi Mitkua, por me kusht që shteti shqiptar të
përfshinte Janinën dhe tërë Epirin deri në Prevezë. Një politikë afrimi dhe
bashkëpunimi me Greqinë u përpoq t'a bënte edhe Ismail Qemali, duke u pështetur në
rrezikun sllav që kërcënonte Greqinë në Maqedoni dhe Shqipërinë në Kosovë. Por
Ismail Qemali nuk shkonte gjer në krijimin e një konfederate greko-shqiptare. Të dy
kombet duhej të bashkëpunonin ngushtë, me të drejta të barabarta dhe si shtete të
pavarur nga njëri-tjetri. Kjo gjë ishte e pamundur sepse, siç thoshte Abdyl Frashëri, i
cili e pati provuar këtë politikë më përpara, "Grekët na duan të nënshtruar dhe jo të
barabartë". Më në fund edhe Thimi Mitkua e të tjerë e kuptuan këtë të vërtetë dhe nuk
mendonin më për "konfederatën" greko-shqiptare, por si e si t'a shpëtonin vendin nga
thonjtë e Greqisë.
Sa për idenë e një bashkëpunimi me Vllehtë, me Maqedonasit, ose edhe me Malin-e-
Zi, nuk vlen të zgjatemi, se këto qenë mendime të rastit e të çastit, që nuk patën kurrë
një bazë të shëndoshë.

Por cilët ishin burrat që drejtonin mendimin shqiptar n'atë kohë? Pas vdekjes s'Abdyl
Frashërit, kishte mbetur i vëllaj, Samiu, si udhëheqësi ideologjik i Shqiptarëvet. Kurse
Naimi e adhuronte Shqipërinë si poet, e donte të bashkuar si mëmën e të gjithëve, të
lirë e të përparuar, por nuk kishte mendime politike se qysh mund t'i arrihej asaj së
mire. Abdyli pati qënë njeriu i vepërimit, qe munduar të shfrytëzonte ngjarjet e
rrethanat, për t'a bërë Shqipërinë autonome ose të pavarur, sipas zhvillimit të gjendjes
së brendëshme e së jashtëme. Përpara së gjithash, kërkonte të bënte bashkimin ethnik
të Shqipërisë, mbledhjen e tokavet dhe të kombësisë shqiptare në një tërësi të vetëme,
pastaj forma e regjimit a Statuti që do të gëzonte ky shtet vinin në radhën e dytë.
Megjithëse e peshonte aq sa duhej rëndësinë e faktorëvet të jashtëm, Abdyl Frashëri
është i vetëmi nga udhëheqësit e Rilindjes që kujdesin e parë ia kushtoi organizimit të
brendshëm dhe luftës me armë të kombit shqiptar. E dinte ose e ndjente se, pa
qëndresën e tij, pa luftën e tij, një popull s'mund të fitojë asgjë, cilatdo qofshin
rrethanat e jashtëme. Mbasi n'atë kohë gjithë shtetet e Ballkanit si edhe t'Evropës,
përveç Francës dhe Zvicrës, ishin mbretëri ose principata, Abdyl Frashëri, në një letër
që i drejtonte Francesco Crispit, më 1890, i paraqiste si mbretin e ardhshëm të
Shqipërisë princin Fuad t'Egjyptit, stërnipin e Mehmet-Aliut. Ai dukej si m'i
përshtatshmi për shumë arësye, sepse ishte Shqiptar nga gjaku, kishte kulturë
evropiane, shikohej mirë prej Italisë (ku kishte marrë mësime ushtarake) dhe prej
Anglisë; pastaj, si mysliman, ishte m'i pranuarshëm jo vetëm prej shumicës së
Shqiptarëvet po edhe prej Turqisë, nëqoftëse Shqipëria do të mbetej për ca kohë si
shtet autonom nën mvarësinë e Sulltanit. Abdyl Frashëri ia shkruante letrën Crispit
n'emër të Shqiptarëve të Stambollit, të cilët n'atë kohë duket se ishin të gjithë në një
mendje për të zgjedhur si mbret t'ardhshëm të Shqipërisë princin Fuad. Por ka të
ngjarë që Samiu t'a ketë pranuar këtë mendim si një nevojë të rastit dhe të rrethanavet,
sepse, në shkrimet e tija u tregua republikan: "Në u bëftë dot Shqipëria më vehte, nuk
do të kemi nevojë për princër as të krishterë as muhamedanë, që të na rjepin e të na
pinë gjaknë. Vëndi ynë munt edhe të kuvernohet (qeveriset) prej një farë dhimokratie,
prej pleqve..."etj.

Idenë e bashkimit të Shqipërisë si një tërësi e pandarë dhe të përpjekjes së


Shqiptarëvet vetë për vendin e tyre e kishte edhe Samiu, por ky ishte më tepër ideolog
se sa njeriu i vepërimit politik, prandaj pikëpamjet e tija nuk ishin aq praktike sa ato
t'Abdylit. Me kulturë të gjerë, i thellë nga mendimi, i mbushur me frymën e re të
përparimit, shkrimtar, filolog dhe enciklopedist në gjuhën turqishte, Samiu ishte
kundër absolutizmit të regjimit perandorak otoman dhe sidomos kundër gjendjes së
Shqipërisë nën atë regjim. E kemi parë më sipër veprimtarinë e tij, si kryetar i
Shoqërisë së Stambollit, për të përhapur arësimin dhe dituritë në gjuhën shqipe. Pas
1890-ës Shoqëria e Stambollit u riorganizua dhe mori emrin "Komiteti Shqiptar",
gjithnjë nën kryesinë e Samiut, i cili tani duhej të loste edhe rolin e udhëheqësit
politik. Mendimet e tija ishin përparimtare në fushën shoqërore dhe në lidhje me
organizimin e ardhshëm të Shqipërisë, e cila do të qeverisej si një republikë
demokratike. Samiu e parashihte t'afërt rrëzimin e Perandorisë Otomane dhe të
pamundur që Shqipëria të qëndronte për një kohë të gjatë me Turqinë, edhe sikur kjo
të ndërronte regjim. Prandaj Shqiptarët duhej të lidhnin besën e të bashkohëshin si
komb për të formuar një tërësi autonome nën Sulltanin, deri sa të pregatitëshin (e të
krijohej gjendja) për të qënë më vonë një shtet i pavarur. Me idenë e lirisë, kundër çdo
fanatizmi fetar, Samiu e dënonte politikën çkombëtarizonjëse turke dhe greke që iu
ndalonte Shqiptarëvet shkollat në gjuhën e tyre, që i shikonte Myslimanët si Turq dhe
Orthodoksit si Grekë ose Rum. Shprehej me hidhërim kundër përpjekjevet të Greqisë
për ndarjen dhe helenizimin e Shqiptarëvet orthodoks me qëllim që të pushtonte
Toskërinë. Sikur Turqia të vazhdonte e t'i mbante Shqiptarët n'atë gjendje, pa shkolla
në gjuhën e tyre, s'do të mbetej kombësi shqiptare - mendonte Samiu - dhe vendi i ynë
do të ndahej ndërmjet Grekëvet dhe Sllavëvet. Prandaj duhej vepëruar përpara se
t'ishte tepër vonë.

Disa nga këto mendime qenë shprehur në një shpallje programi me titullin "Ç'duan
Shqiptarët", që e nxori Komiteti i Stambollit më 1897 dhe që ishte shkruar si duket
prej dorës së Samiut. Kjo shpallje iu tregonte Shqiptarëvet rreziqet që iu
kërcënohëshin dhe mënyrën sesi mund t'iu bëhej ballë. Këshillonte mbledhjen e të
gjithave rrymave kombëtare në një organizim të përbashkët, në një besë, duke marrë
si shembull Lidhjen e Prizrendit. Siç shihet, mënyra që këshillonte Komiteti Shqiptar i
Stambollit nuk ishte fort dinamike, sepse Lidhja e Prizrendit u formua në të tjera
kondita, nën kërcënimin e copëtimit të vendit, dhe megjithatë e pamë sesi përfundoi.
Pas hedhjes së kësaj shpalljeje, u bë një provë e dytë me Lidhjen e Pejës, e cila,
mbaroi më keq akoma, siç do t'a shohim më poshtë.

Por mendimet e tija politike Samiu i shprehu kryesisht në një libërth: "Shqipëria ç'ka
qënë, ç'është e ç'do të bëhetë?" botuar nga Shoqëria "Dituria" e Bukureshtit, më 1899.
Libërthi u shtyp pa emrin e auktorit, që kuptohej se cili ishte. Mbas një tregimi të
shkurtër dhe pak si romantik të historisë së vjetër e mesjetare të Shqipërisë, Samiu
përshkruante gjendjen e saj të mjeruar ku e kishte prurë sundimi turk
pas Tanzimatit dhe këshillonte se ç'duhej bërë për t'a nxjerrë nga ajo gjendie.
"Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është në dorët të Shqiptarëvet", shkruante Samiu.
Sikur këta të mbeten të këputur në katër vilajete dhe të luftojnë kundër fqinjëvet, jo
për kombësinë e tyre po për të mprojtur Turqinë, bota do t'i mbajë për Turq dhe vendi
i ynë do të copëtohet ndërmjet shtetevet të Ballkanit si pjesë e Perandorisë Otomane.
Prandaj "duhetë një orë e më parë të ndahetë Shqipëria, e të dihetë që ku e gjer ku
është. Të njihetë vëndi i ynë për Shqipëri, t'a njohë edhe Evropa Shqipëri. Shqiptarëtë
të ndritojnë e të zbukurojnë gjuhën e tyre me shkronja e me dituri; të bashkohenë të
gjithë bashkë e të tregohenë si një komb... Atëhere edhe të bëhetë një trazim në sinisit
të Ballkanit, edhe të bjerë e të humbasë Turqia, Shqipëria qëndron më vehte të saj...".
Për, Sami Frashërin, armiku m'i madh i Shqipërisë ishte Turqia, e cila bashkëpunonte
me Grekët, "zënë shëndoshë dorë-për-dorë për të humbur kombërinë e gjuhënë e
Shqiptarëvet... Pas Tyrqvet e Grekëvet, Shqipëria ka armik Bullgarët e Serbët, të cilët
duanë të bëjnë nëpër anët të lindjes e të veriut të Shqipërisë ato që bëjnë Grekërit
n'anët të jugës". Për të humbur kombësinë shqiptare, të gjithë këta armiq ndalonin
arësimin dhe shkollat në gjuhën shqipe. Samiu dinte se "Tyrqia me dashuri e me
mirësi s'ep gjë kurrë.. Prandaj edhe Shqiptarëvet me hir Tyrqia s'u ka për të dhënë gjë.
Shqiptarëtë duhet t'i marrënë ato që duanë me pahir; t'i kërkojnë me fjalë, po të kenë
edhe pushkënë plot". Por Samiu nuk besonte as nuk uronte që punët të shkonin gjer
tek zbrazja e pushkës. Sipas atij, mjaftonte që Shqiptarët "të lidhin një besë të madhe e
të përgjithçime në mes të tyre... dhe kush i del kundrejt atëhere Shqipërisë e
Shqiptarit, kush kuxon t'i rrëmbenjë a t'i shkelnjë të drejtën e tij, si ja bëjnë sot q'e
gjejnë të ndarë e të dobët?". Po të lidhnin këtë besë, "Shqiptarëtë s'kanë nevojë të
zirenë nga armëtë, të hiqen nëpër malet e nëpër shpellat, të vriten e të prishenë, si
bëjnë kombet e tjerë për të fituar lirinë e tyre" - mendonte Samiu. Se kur t'i shohë të
bashkuar e të fortë, Turqia nuk do të jetë "aq e çmendurë sa të zihete në luftë me
Shqiptarëtë". Edhe Evropa do t'iu ndihmonte Shqiptarëvet, sepse "thirrjet e kombevet
do të dëgjohenë e të drejtat e tyre do t'u epenë".

Sa për organizimin a ardhshëm të shtetit shqiptar, Samiu parashikonte një republikë


parlamentare me në krye një Këshill të Pleqësisë, të përbërë prej 15 vetash, të
zgjedhur nga një për çdo ngastër(prefekturë), dhe që do t'ishte si një lloj senati.
Kjo Pleqësi do të zgjidhte prej gjirit të vet një kryetar, i cili do t'ushtronte detyrat e
kryetarit të shtetit. Pastaj vinte Këshill' e Përgjithçime (parlamenti) me një numër
rreth 100 të dërguarësh (deputetësh), që do të zgjidhëshin nga një për çdo 20.000
frymë. Një qeveri prej shtatë ministrash do të qeveriste vendin në bashkëpunim me
Pleqësinë dhe me Këshillin e Përgjithshëm. Përsa kohë që Shqipëria do të qëndronte si
shtet autonom nën Turqinë, kryeministri, ose qeverindari i përgjithçim, do të dërgohej
nga Stambolli për çdo pesë vjet, por i pëlqyer prej Pleqësisë dhe Këshillit të
Përgjithshëm. Kur Shqipëria të bëhej e pavarur, edhe kryeministri do t'ishte Shqiptar
si të tjerët. Samiu parashihte një Shqipëri të përbërë prej 15 ngastrash (prefekturash),
të cilat do t'ishin: Shkodra, Peja, Prizrendi, Prishtina, Shkupi, Manastiri, Dibra,
Elbasani, Tirana, Berati, Korça, Kosturi, Janina, Gjirokastra e Preveza. Çdo ngastër do
të ndahej në 3-4 nën-ngastra (kaza). Ngastrat dhe nënngastrat do të qeverisëshin prej
nga një qeverindari e nën-qeverindari të varur nga qeveria qendrore. Por m'e shumta e
administratës së vendit do t'ishte në duart e katundarivet (këshillevet bashkiake), të
zgjedhura edhe këto prej popullit të qytetit a të krahinës. Sepse "m'i lumtur' i vëndevet
në botë është ay tek ndjehetë fort pakë dorë e qeverisë". Kurse "kryeqyteti i
përgjithçim do të ndërtohet i ri në mesin e Shqipërisë dhe shumë i bukur, në një vent
të shëndeçim e do të quhet Skënderbegas". Samiu bën një ndarje të ministrivet, cakton
detyrat dhe punët që duhet të kryejë qeveria për mbarëvajtjen dhe lulëzimin e vendit,
lartësimin kulturor dhe ekonomik të popullit shqiptar. Flet mbi organizimin dhe llojet
e shkollavet, t'institutevet kulturore, mbi ndërmarrjet e mëdha të zhvillimit ekonomik,
me tharjen e fushavet, ndërtimin e hekurudhavet, ndreqjen e limanevet, krijimin e
industrisë, shfrytëzimin e nëntokës, të pyjevet, shtytjen që i duhej dhënë bujqësisë etj.
Natyrisht, Samiu parasheh edhe organizimin e fevet, që do të varëshin nga ministri i
diturisë (arësimit) ose i gjyqit (drejtësisë) dhe do të kishin në krye: një Myfti i math
për myslimanët, një Eksark për të krishterët orthodoks, një Kryepeshkop për katolikët.
"Të parët e besëvet (të fevet), domethënë Myftiu i math, Eksarku e Kryepeshkopi, do
të jenë në nder të math, po nuk do të përzjehen përveçse në punëra të besës, si edhe
myftinjtë e tjerë, peshkopëtë e gjithë njerëzit e besës". Samiu nuk lë në harresë as
organizimin e ushtërisë, së tokës e së detit, parashikon buxhetin dhe deri rrogat që
duhej të merrnin ofiqarët e lartë.

U zgjatëm pak mbi këtë libërth të Sami Frashërit, sepse përmban një farë doktrine
politike për Shqiptarët, dhe sepse "kritikët" e letërsisë sonë nuk e kanë vënë fort në
dukje, megjithëse është shkruar në një gjuhë të pastër letrare. Natyrisht, idetë e Sami
Frashërit janë pak a shumë platonike, ide librash, që s'e rroknin dot realitetin e gjallë
shqiptar t'asaj kohe, as ndeshjen e interesavet ndërmjet fuqivet të mëdha. Këshillat e
tija të fisshme, njerëzore, nisëshin nga parimi sikur bashkimi i përgjithshëm, lidhja e
besës, t'ishte një punë fort e lehtë për t'u bërë, t'ishte vetëm një fjalë goje... sikur
Shqipëria të ndodhej në një ishull të veçuar dhe populli i saj të kishte arritur në një
shkallë pjekurie më të lartë nga ai i Zvicrës e i Suedisë. Samiu nuk kishte asnjë
kuptim të dinamizmit shoqëror e politik, të luftës së brendëshme të një populli dhe të
ndërhyrjevet të jashtëme. Por s'duhet të harrojmë që Samiu ishte njeriu i idesë dhe jo i
vepërimit. Në shkrimet e tija gjejmë mendimin e Rilindasvet dhe disa ide që kishin
dhe do të kenë vleftë për Shqiptarët në të gjitha kohët. E para, Samiu e thekson me
forcë se s'mund të ketë kombësi pa kulturë kombëtare: "...s'munt të ketë Shqipëri pa
Shqiptarë, s'munt të ketë Shqiptarë pa gjuhë shqipe, s'munt të ketë gjuhë shqipe pa
shkronja (shkrime) shqipe e pa shkolla në të cilat të mësohet shqipja". Arësimi duhet
të jetë i detyruarshëm për djemtë dhe vashat që më 7 gjer më 13 vjeç. Samiu i jep
rëndësi të madhe edukatës së vajzavet, të cilën e vë në një shkallë të barabarte më atë
të djemvet. Dhe me të vërtetë, nuk mund të ketë shoqëri njerëzore të lartë pa
lartësimin e gruas. E dyta, Samiu kërkon që kleri të merret vetëm me punën e fesë dhe
të mos përzjehet në politikë as në veprime të tjera që i përkasin shtetit. Edhe arësimin
e mendon laik. E treta, disa mendime që jep Samiu mbi zhvillimin ekonomik dhe
kulturor të vendit, deri edhe ato që jep mbi formën dhe mënyrën e qeverimit, ishin dhe
janë akoma të parealizuarshme, por si parim mbeten gjithmonë të vlefshme, dhe drejt
atij qëllimi lirie e përparimi duhet t'ecin Shqiptarët. Samiu flet me krenari për
trimërinë dhe cilësitë e tjera të kombit tonë, kërkon ruajtjen e vetijavet të bukura
shqiptare, dhe, duke e mbajtur Skënderbén si figurën qendrore të historisë kombëtare,
donte që kryqytetit të Shqipërisë t'i jepej emri Skënderbegas. I goditte rreptë ata
Shqiptarë që përbuznin kombësinë e tyre: "Sot shumë Shqiptarë, nëntëdhjetë për qint
munt të themi, s'janë Shqiptarë as me ment as me zemër; kombin e tyre e gjuhënë s'e
duanë as e nderojnë... dhe shumë kanë edhe turp të flasin shqip! Po në kanë ata turp të
thonë që Shqipëria është mëma jonë, Shqipëria ka më shumë turp e dhuni të duketë që
ka të tillë bij! Kombi shqiptar s'është komb për të pasur turp prej tij; të qënët e një
njeriu nga një komb kaq trim e kaq' i zgjuar s'është turp, po është nder i math". Samiu
shprehet ashpër kundër Turqisë, të cilën e shikonte si armikun numër një të
Shqiptarëvet.

Tre vëllezërit Frashëriotë, Abdyli, si njeriu i vepërimit politik për bashkimin e


atdheut, Naimi, si këngëtar i dashuruar i Shqipërisë, Samiu, si shtytës i kulturës dhe i
mendimit, përbëjnë një sintezë të ndritur në historinë e Rilindjes sonë kombëtare.

Një nga fytyrat më simpathike të Rilindjes, që pajtohej plotësisht me idetë e


Frashëriotëvet, është Pashko Vasa (ose Vaso Pashë) Shkodrani. Edhe ky e shikonte
Shqipërinë si një tërësi të pandarë "qysh prej Tivarit deri n'Prevezë", ku "feja e
Shqyptarit" duhej t'ishte "shqyptarija". As ky nuk shpresonte në ndihmën e
huaj: "Vjen njeri i huej e ju rrin ndë votër - Me ju turpnue me grue e me
motër". Besonte vetëm në fuqinë e Shqiptarëvet: "Çoniu, Shqyptarë, prej gjumit
çoniu, - Të gjith si vllazën me nji besë shtërngoniu!". Si ide politike, edhe Vaso Pasha
mendonte bashkimin e të katër vilajetevet në një tërësi autonome të varur nga Sulltani,
deri sa Shqipëria të pregatitej dhe t'i vinte rasti për të fituar pavarësinë.

Nga udhëheqësit shqiptarë orthodoks (flasim për ata të kolonivet, se brenda n'atdhe
shumica e Orthodoksvet ishte për bashkimin me Greqinë) çfaqëshin pothuajse të
njëjtat mendime në lidhje me autonominë, ose me pavarësinë e Shqipërisë. Në fillim,
disa si Thimi Mitkua patën menduar për formimin e një konfederate greko-shqiptare,
me kusht që Shqipërisë t'i njihej i tërë Epiri deri në Prevezë. Mendimin e një lidhjeje
greko-shqiptare e pati për ca kohë edhe Jani Vretua. Por pastaj e kuptuan se
bashkëpunimi me Greqinë ishte i pamundur, se Greqia kërkonte pushtimin e
Shqipërisë jugore. Atëhere u kthyen kundër politikës greke dhe kundër Patrikanës,
duke ndjekur një program thjeshtë kombëtar, i cili ishte ai i Frashëriotëvet, për një
Shqipëri autonome ndën Sulltanin, gjer sa t'i vinte koha që të bëhej e pavarur.
Atdhetarëvet orthodoks iu binte edhe barra e formimit të një Kishe shqiptare të
shkëputur nga Patriakana. U treguan të gjallë kudo, në Stamboll, në Bukuresht, në
Sofie, n'Egjyptë, n'Amerikë. Disa si Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Koto
Hoxhi, Jani Vretua, Thimi Mitkua, Spiro Dine, Anton Zako (Çajupi), Petro Nini,
Aleks S. Drenova (Asdreni), Kristo Luarasi, Sotir Peci, më vonë Fan Noli, e të tjerë, i
kanë dhënë forcë mendimit shqiptar, përveç që janë treguar lëronjës të vlefshëm të
gjuhës dhe të letravet shqipe.

Në veri, kleri katolik ishte përgjithësisht për autonominë ose pavarësinë e Shqipërisë,
por, i prirur nga Perëndimi, autonominë e donte më fort ndën Austro-Hungarinë se sa
ndën Sulltanin. Tek ndihma e Austro-Hungarisë patën shpresuar edhe intelektualë prej
fevet të tjera. Imzot Prenk Doçi ati i Mirditës, për të cilin kemi folur më sipër, ishte
Shqiptar i mirë, por mendimet e tija politike dukëshin të pathemelta. Ai parashikonte
njëherë formimin e një principate katolike, me ndihmën e Austro-Hungarisë, pastaj
krijimin e katër shteteve të vegjël (si punë kantonesh), Kosovë, Shqipëri e Mesme,
Toskëri dhe Epir, të cilët do të ndihmonin njëri-tjetrin dhe do të përbënin një lloj
konfederate me një qeveri të përbashkët. Kjo fantazi s'pajtohej gjëkundi me realitetin
shqiptar. E para, sepse në veri krahinat katolike e myslimane janë të përzjera; e dyta,
sepse Shqipëria ishte mjaft e përçarë dhe ndërhyrjet e jashtëme shumë të forta.
Prandaj, ose shteti shqiptar do t'ishte një dhe i pandarë, ose s'do të kishte Shqipëri
fare. Kryesonjësit e klerit katolik e kuptuan shpejt këtë të vërtetë.

Mendimi politik shqiptar, që vërtitej pothuajse i tërë rreth autonomisë, përhapej


sidomos me anë gazetash të përkohëshmesh, si Albania e Faik Konitzës, Drita e
Shahin Kolonjës, Kombi i Sotir Pecit, e të tjera. Faik Konitza, i mprehtë si shkrimtar
dhe me një kulturë të gjerë, nuk kishte, për fat të keq, cilësitë e njeriut politik, se edhe
karakteri i tij i vështirë e bënte të papajtuarshëm me natyrat e ndryshme.

Në fillim të këtij shekulli nisi të shquhej figura e Ismail Qemalit. Ky ishte përzjerë
edhe më përpara në lëvizjet shqiptare, por vetëm përsa iu përkiste çështjevet kulturore.
Veprimtaria e tij ishte kufizuar rreth mundësisë së çeljes së shkollave shqipe për
arësimin kombëtar, pa hyrë në një luftë të hapët politike. Si të gjithë intelektualët,
mendonte edhe ai për fatin e Shqipërisë në rast se do të ngjanin ndryshime në Ballkan.
Më 1900, pikërisht kur Sulltani e emëroi vali të Tripolit, Ismail Qemali u arratis nga
Turqia dhe qëndrimin e parë e bëri n'Athinë, me idenë e përpjekjevet për afrimin
greko-shqiptar. Ismail Qemali kishte qënë një liberal që kërkonte liri kulturore dhe
reforma për popujt e Perandorisë. Arratisja e tij e shqetësoi qeverinë turke, por u prit
mirë prej Shqiptarëvet. Nga Athina, iu bëri një shpallje qendrave shqiptare, në të cilën
tregonte arësyet e ikjes së tij. Pastaj u nis për në Napoli, në Romë, në Paris, qëndroi ca
kohë në Bruksel me Faik Konitzën por miqësia në mes të tyre nuk vazhdoi gjatë dhe
prej andej shkoi e u vendos në Londër. Me shpalljet dhe artikujt e tij drejtuar
Shqiptarëvet, Ismail Qemali i shtynte për zhvillimin kulturor dhe ekonomik, për
shkollat dhe arësimin në gjuhën shqipe, gjë kjo që do të forconte vetëdijën e tyre
kombëtare dhe ndjenjën e bashkimit për t'iu qëndruar rreziqeve të jashtëme.
Shqiptarët duhej të përparonin dhe gjithnjë të përparonin. Por Ismail Qemali nuk iu
këshillonte kryengritje, sepse çdo lëvizje me armë do t'iu jepte shkak ndërhyrjeve të
huaja që mund t'a keqësonin gjendjen. Ai ishte për mbajtjen e statu quo-së në Ballkan
sa kohë që Perandoria Turke do të mund të qëndronte. Si shihet, ka një kundërshtim
(kontradiktë) në mendimet e tija, sepse qysh do të përparonin Shqiptarët pa
kryengritje, kur Turqia s'iu lejonte as një shkollë në gjuhën shqipe dhe as që i mpronte
nga ndikimi fetaro-kulturor grek e sllav? Ky kundërshtim i dukshëm në mendimet e
Ismail Qemalit mund të shpjegohet vetëm në këtë mënyrë: ai s'kishte hequr dorë
akoma nga vepërimi dhe interesimi politik në Perandorinë Otomane. Si intelektual
liberal, shpresonte se Perandoria do të "liberalizohej", do t'iu lejonte zhvillimin e lirë
kulturor dhe ekonomik kombësive të ndryshme, të cilat, në këtë rast, kishin më dobi të
jetonin në paqe midis tyre duke u mbajtur me Turqinë, se sa të binin në kthetrat e
fuqive të mëdha imperialiste. Ky mendim shpjegon deri diku edhe besimin e Ismail
Qemalit në miqësinë dhe bashkëpunimin greko-shqiptar, mbasi të dy kombet
kërcënohëshin njëlloj - prej rreziqeve të jashtëme, sidomos prej Sllavëvet të shtytur e
të përkrahur nga Rusia. Në fillim, Ismail Qemali kishte anuar nga Austro-Hungaria, si
e vetëmja fuqi që mund të përkrahte kombësinë shqiptare. Por pastaj ndërhyrjet e
Rusisë dhe t'Austro-Hungarisë nisi t'i shikonte si një rrezik për paqen dhe mbajtjen
e statu quo-së në Ballkan. Prandaj kërkoi t'afrohej edhe me politikën italiane, pati
lidhje të ngushta me Arbëreshët - të cilët i vizitoi disa herë në Kalabri e Siqeli dhe u
prit përzemërsisht prej tyre - sepse mendonte që ndërhyrja e Italisë vlente për të
mbajtur ekuilibrin në Ballkan, për të përkrahur Shqiptarët, Grekët dhe Turqit, jo
vetëm kundrejt shtrirjes së Rusisë e të sllavizmit po edhe t'Austro-Hungarisë. Të tëra
këto ishin deri diku peshime të stërholluara, por duhet të dimë se Ismail Qemali ishte,
përpara së gjithash, një diplomat i regjur që vështronte nga çdo anë ku mund të gjente
përkrahje për Shqipërinë. Siç ishte përpjekur të siguronte miqësinë e Greqisë, e gjejmë
në Mal-të-Zi më 1911, bisedonte në Stamboll me Ambasadorin e Rusisë, për të zbutur
edhe armiqtë dhe për t'ua bërë të pranuarshme të drejtat e kombësisë shqiptare. Në një
intervistë që i dha në Romë gazetës italiane la Tribuna, në Korrik 1907, Ismail Qemali
shprehte pikëpamjet e tija në lidhje me Perandorinë Otomane, me mbajtjen e statu
quo-së në Ballkan, me të drejtat e kombësisë shqiptare, me mundësinë e një
marrëveshjeje shqiptaro-greke.

Kur Turqit e Rinj erdhën në fuqi, më 1908, Ismail Qemali u kthye nga mërgimi, duke
kujtuar se arriti koha e "liberalizmit" që ai shpresonte. Por ngjarjet rrodhën ndryshe.

Për fat të keq, Ismail Qemali nuk hoqi dorë gjer vonë nga përzjerja dhe interesimi në
punët e Perandorisë Otomane. Sikur t'ishte marrë vetëm me çështjen shqiptare, mund
t'i kishte sjellë atdheut shërbime më të mëdha. Afrimi i ngushtë i tij me Greqinë nuk u
prit mirë prej Shqiptarëvet të kohës, të cilët e kuptonin se s'kishte asnjë mundësi që
Grekët t'a ndryshonin qëndrimin e tyre kundrejt vendit tonë. Po edhe dyshimet se
Ismail Qemali mund t'i bënte lëshime Greqisë ishin të kota, siç u provua më pastaj.
Prej vitit l911, Ismail Qemali vendosi të vihej në krye të lëvizjes shqiptare dhe
qëndroi si udhëheqësi i saj gjer në Jenar 1914.
E meta m'e madhe e këtyre intelektualëve ishte se donin t'i rregullonin punët me anën
e diplomacisë dhe të lodravet politike të jashtëme, pa u kujdesuar aq sa duhej për
organizimin e forcavet të brendëshme dhe të luftës me armë të popullit shqiptar.

Porsa çështja shqiptare u vu në dukje përpara diplomacisë dhe mendimit evropian, e


vetëmja gjë që nuk mungonte ishin "princat" që u çuan si kandidatë për fronin e
Shqipërisë. Në Spanjë, dolli një farë Gjin Aladro Kastriota (emri i vërtetë i tij ishte
Juan de Aladro y Perez de Valasco), i cili mendonte se rridhte nga një e motër e
Skënderbeut. Natyrisht, historia e tij ishte përfytyrim. Në Napoli (Itali), jetonte
markezi Di Auletta i quajtur Giovanni Kastriota, që mbahej se rridhte në vijë të drejtë
nga i biri i Skënderbeut. Kurse në Rumani dolli Albert Gjika i cili, siç e dimë, ishte
nga një falmilje princore me rrjedhje shqiptare. Ata që lëvizën më shumë qënë Aladro
de Valasco dhe Albert Gjika, të cilët u munduan të bënin për vehte përkrahës prej
Shqiptarëvet të njohur n'atë kohë, sidomos nëpër kolonitë dhe gjer tek Arbëreshët e
Italisë. U paraqitën nëpër ministritë e jashtëme të disa shteteve, bënë thirrje e shpallje
për mprojtjen e të drejtavet të kombit shqiptar dhe ca zhurmë nëpër gazetat. Albert
Gjika, u përpoq të merrte kryesinë e lëvizjes për çlirimin e Shqipërisë, pa e vënë
kërkesën e fronit si një kusht të domosdoshëm. Por nuk ishte në lartësinë e duhur për
atë punë, aq sa nuk pati as përkrahjen e kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Sidoqoftë,
këto zhurma nuk i prunë ndonjë dëm çështjes shqiptare; ndoshta vlejtën si propagandë
sepse bënë që të flitej rreth Shqipërisë.

1
Ami Boué, La Turquie d'Europe. Paris, 1840. vol. II, f. 70 e 74.
2
Bosnjën dhe Herzegovinën Austro-Hungaria i kishte pushtuar ushtarakisht që në kohën e Kongresit të Berlinit, por
jo aneksuar.

XXII
Mbasi treguam shkurtazi lëvizjen e Rilindjes kombëtare, e cila u zhvillua jashtë
atdheut, gjendjen e brendëshme të Shqipërisë dhe ndërhyrjet e jashtëme, le të ndjekim
tani zhvillimin e ngjarjevet.

Shpërndarja e Lidhjes së Prizrendit, në veri e në jugë, dhe shtypja e qëndresës së


Kosovës më 1881, nuk e shtroi dot vendin plotësisht. Malësorët e Hotit, Grudës,
Shkrelit dhe Kastratit u ndeshën përsëri me Malazeztë, në Maj 1883, kur u përcaktua
vija e kufijvet, e cila shkelte mbi toka shqiptare. Turqisë iu desh të ndërhynte për të
shtruar trubullimet, por ushtëria e saj pësoi dëme prej malësorëvet në një betejë afër
Kastratit.

Në Shkurt të vitit 1885, lëvizja shpërtheu rishtas në Kosovë duke nisur prej Prizrendit
në Ferizaj, ku ngjajtën me ushtërinë turke përpjekje të përgjakshme gjatë rrugës midis
dy vendeve, pastaj u përhap në Gjakovë, Lumë, Pejë dhe u zgjerua gjer në Prishtinë e
Mitrovicë. Kryengritësit kërkonin uljen e taksavet, të drejtën e mbajtjes s'armëvet,
lirimin e të burgosurvet, t'internuarëvet, dhe kundërshtonin regjistrimin e popullsisë.
Në Shtator 1885, Porta e Lartë dërgoi Vesel Pashën me disa batalionë për të shtruar
trubullimet. Ky arriti në Gjakovë dhe bëri disa arrestime.

Por në këtë kohë plasi kriza e Rumelisë Lindore, e cila u bashkua me Bullgarinë, në
Shtator 1885. Fuqitë e mëdha u detyruan t'a njihnin si një punë të kryer këtë ndryshim
të statu quo-së në Ballkan. Kështu Turqia ngushtohej më shumë akoma dhe ndodhej
në një gjendje të vështirë sepse kishin nisur të lëviznin edhe Grekët. Prandaj u detyrua
t'iu bënte lëshime Shqiptarëvet. E pezulloi përkohësisht politikën e përqëndrimit
administrativ në Shqipëri, liroi nga burgu ose internimi krerët e lëvizjevet bashkë me
ata të Lidhjes së Prizrendit, ua njohu malësorëvet të drejtën e mbajtjes s'armëvet dhe
premtoi se do të lejonte çeljen e shkollave shqipe. Me atë rast u lirua nga burgu edhe
Abdyl Frashëri.

Gjatë luftës greko-turke, më 1897, Shqiptarët ishin të detyruar të merrnin anën e


Turqisë, sepse, po të fitonte Greqia, do të pushtonte Epirin. N'atë rast, edhe atdhetarët
orthodoks u treguan t'afruar me Turqinë. "Shqipëria e tërë është me Sulltanin kundër
Helenëvet, shkruante Thimi Mitkua; disa të pakë nga të Krishterët e kanë zemrën me
Helladhën".

Por Shqiptarët deshën të përfitonin nga shtrëngica ku ndodhej Turqia dhe kërkuan
përsëri autonominë administrative me shkollat shqipe. Toskët që kishin luftuar kundër
Grekëve nuk deshën t'i lëshonin armët. Në veri nisi lëvizja përsëri duke filluar
gjithmonë në Prizrend dhe u përhap në tërë qarkun e Shkodrës. Disa krerë shqiptarë u
arrestuan. Për të paqësuar vendin, Sulltani dërgoi në Shkodër Teufik Pashën. Ky, pasi
dëgjoi kërkesat e një përfaqësie krerësh, myslimanë e katolikë, dha premtime për
reforma të cilat nuk u zbatuan kurrë. Duke vazhduar t'a kërkonin autonominë me anë
mbledhjesh, me fjalë e me thirrje drejtuar Sulltanit, Shqiptarët patën ardhur disa herë
edhe në përpjekje me ushtërinë turke. Veçse këto lëvizje mbetëshin gjithnjë krahinore,
me ca lidhje të flashkëta midis tyre, pa një qendër drejtonjëse, pa një kumandë të
vetëme. Prandaj shpërndahëshin si retë e shprishura ose përfundonin si vesa e
mëngjezit. Përveç mungesës së një organizimi dhe së një drejtimi, ishte edhe frika e
ndërhyrjes së fqinjëvet, mbasi Greqia, Serbia, Bullgaria dhe Mali-i-Zi e kishin
gjithmonë synë mbi tokat shqiptare. Kjo gjendje i paralizonte Shqiptarët dhe i
shtrëngonte të mbahëshin me Turqinë. Ndërsa lëvizja e Maqedonasvet po bëhej për
ditë m'e fortë, shqetësimi i Shqiptarëvet se mos shkelëshin prej fqinjëvet vinte duke u
shtuar. Prandaj ndërmjet vjetëve 1896 e 1898 i qenë drejtuar disa herë Portës së Lartë
për reforma, duke kërkuar edhe përkrahjen e fuqive të mëdha. Në Korrik 1896, disa
nga atdhetarët e shquar të mërgimit, të krishterë e myslimanë, i dërguan prej Rumanie
një memorandum kryeministrit të Turqisë duke protestuar kundër zakonit që kishte
shteti turk t'i mbante Shqiptarët orthodoks për Grekë ose për Sllavë, dhe kërkonin
njohjen e kombësisë shqiptare me të drejtat e saja, pavarësisht nga feja. Kurse disa
muaj më vonë, në Tetor 1896, një grup intelektualësh e krerësh shqiptarë iu drejtoi
prej Manastirit një thirrje fuqivet të mëdha duke kërkuar bashkimin e pesë vilajetevet,
të Kosovës, Manastirit, Selanikut, Janinës dhe Shkodrës në një vilajet të vetëm, me
kryeqytet Manastirin. Sipas kësaj kërkese, popullsia e të pesë vilajetevet ishte në
shumicë të madhe shqiptare, prandaj duhej të formonte një tërësi me administratën e
saj të veçantë, me shkollat shqipe, dhe ushtarët që do të rekrutohëshin pa dallim feje
në këto krahina duhej të shërbenin në Turqinë e Evropës, rreth kufijvet të shtetevet
fqinjë.

Në vjeshtën e vitit 1897, të tjera trazime ngjajtën në Kosovë, duke u përhapur në Pejë,
Gjakovë, Prizrend dhe deri n'afërsitë e Shkupit, për uljen e taksavet dhe çeljen e
shkollavet shqipe. Një nga udhëheqësit e lëvizjes ishte Haxhi Mulla Zeka prej Peje.
Trazimet ishin gati të pëlcisnin edhe në jugë. Frika e një kryengritjeje të përgjithshme
shqiptare e shtyti Portën e Lartë t'a shpejtonte nënshkrimin e traktatit të paqes me
Greqinë. Por megjithë masat e autoritetevet turke, të cilat prunë fuqi të reja në Pejë,
Shqiptarët ishin gjithmonë të shqetësuar. Lufta e çetavet Maqedonase i bënte
Kosovarët të druanin rrezikun e një copëtimi ndërmjet Sllavëvet. Prandaj as nuk mund
të shtrohëshin, as nuk mund të ngrihëshin me armë kundër Turqvet, ndonëse këta u a
kishin prurë shpirtin në fyt herë me shtypje e herë me premtime të rreme.

Më 1 Jenar 1898, të gjitha shoqëritë shqiptare të mërgimit, Komiteti i Stambollit,


"Dituria" e Bukureshtit, "Dëshira" e Sofjes, "Vëllezëria Shqiptare" e Egjyptit dhe
Shoqëria Kombëtare Shqiptare e Arbëreshëvet t'Italisë, bënë një thirrje të përbashkët
me anën e së cilës dënonin politikën e pandërgjegjshme dhe armiqësore që Turqia
ndiqte kundrejt Shqiptarëvet dhe kërkonin nga Sulltan Abdul Hamiti II t'i jepte
autonominë Shqipërisë duke i bashkuar vilajetet e saja në një të vetëm, me shqipen si
gjuhë zyrtare, me shkollat shqipe, me qeveritarë shqiptarë, etj. Thirrja bëhej n'emrin e
të gjithë Shqiptarëvet në botë, të bashkuar në një zë, të çfarëdo feje që t'ishin dhe kudo
që fati i zi i kishte shpërndarë. Kjo thirrje, e cila u botua dhe u përhap prej Shoqërisë
Kombëtare Shqiptare t'Arbëreshëvet, dënonte njëkohësisht qëllimet grabitqare të
fqinjëvet kundrejt vendit tonë dhe iu drejtohej fuqivet të mëdha duke kërkuar që
parimi i kombësive të zbatohej edhe për Shqipërinë, të përfshihej edhe kjo në
programin e reformavet të parashikuara për popujt jo-turq dhe të sigurohej kundër çdo
ndërhyrjeje të jashtëme.
Lëvizja e Kosovës, që nisi në vjeshtën e 1897-ës, nuk mundi të shuhej gjatë vitit 1898,
se në Maqedoni zjente lufta e çetavet. Për t'iu dalë përpara rreziqevet që i
kërcënohëshin vendit, u thirr një mbledhje në Pejë - prej 26 gjer më 30 Jenar 1899 -
ku muarën pjesë përfaqësonjës qytetesh e krahinash nga i tërë vilajeti i Kosovës.
Mbledhja lidhi një besë dhe mori disa vendime për të mprojtur atdheun edhe fenë
kundër Bullgarëvet, Serbëvet dhe armiqve të tjerë, në rast se këta do të sulmonin tokat
shqiptare. Bënte të njohur gjithashtu se Maqedonasit nuk ishin të shtypur, se kjo ishte
një propagandë e hapur prej të huajvet për të gjetur shkak ndërhyrjeje, por Lidhja do
t'ishte gati t'i qëndronte me armë çdo fuqie të jashtëme që do të provonte të shkelte në
Maqedoni a në Kosovë.

Lidhja e Pejës, siç u quajt kjo, e cila zgjodhi si kryetar Haxhi Mulla Zekën, nuk e
ngriti çështjen e autonomisë dhe të shkollavet shqipe, por vendosi t'organizonte
komitete më çdo kaza, të krijonte një forcë shqiptare prej 15.000 vullnetarësh, dhe të
shtrihej duke përfshirë, përveç Kosovës, katër vilajetet e tjerë, të Shkodrës, Manastirit,
Selanikut dhe Janinës. Vendosi gjithashtu të thërriste një kuvend të përgjithshëm në
Prizrend, më 26 të Shkurtit 1899, ku do të merrnin pjesë përfaqësonjës nga të gjitha
krahinat e Shqipërisë për t'u bashkuar me programin e Pejës.

Siç shihet, kjo Lidhje nuk ishte drejtpërdrejt për autonominë e Shqipërisë, por si një
organizim për mprojtjen e vendit kundër të huajvet, duke i çfaqur besnikërinë
Sulltanit. Ndër pjesëmarrësit e saj kishte mjaft turkomanë, dhe u shikua që në fillim si
një krijesë e Turqvet ose si e shtytur prej tyre. Megjithatë, puna vetë e përmbledhjes
së tokavet shqiptare në një organizatë të përbashkët me degë e komitete nëpër
krahinat, çonte vetvetiu tek forcimi i lidhjevet kombëtare dhe tek autonomia. Prandaj
Porta e Lartë u kthye shpejt kundër Lidhjes së Pejës, nisi të pengonte vepërimet e saja,
ndaloi mbledhjen e përgjithshme që do të mbahej në Prizrend më 26 të Shkurtit. N'atë
datë u bë një mbledhje tjetër në Dibër, e cila u kufizua në mprojtjen e lirivet krahinore
dhe rregullimin e çështjeve të vendit, sikurse mbajtja e qetësisë etj., në bashkëpunim
me autoritetet turke.

Sami Frashëri që shkroi e botoi në këtë kohë libërthin "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e
ç'do të bëhetë?", shpresonte t'a shtynte Lidhjen e Pejës që të këthehej në një organizim
përpjekjesh e lufte për autonominë e Shqipërisë. Por kjo Lidhje nuk qëndronte mbi
baza të shëndosha, përbëhej vetëm prej Myslimanësh, dhe nuk kishte një komitet a
dorë të fortë që t'a drejtonte. Ishte formuar nga frika e pushtimit sllav dhe s'mund të
hynte njëkohësisht në luftë edhe me Turqinë.

Në prendverën e vitit 1899 u bënë disa përpjekje rreth çështjes s'autonomisë, por
dështuan si të tjerat. N'atë kohë ishte duke u mbledhur në Hagë (Hollandë) një
konferencë e fuqivet të mëdha për paqen. Lëvizja e Maqedonasvet iu drejtua
menjëherë, por Konferenca nuk desh t'a shtrëngonte Turqinë për të bërë ndryshime e
reforma. Kështu Porta e Lartë e ndjeu vehten të sigurtë dhe nisi të merrte masa më të
rrepta kundrejt Shqiptarëvet. Gjatë vjetëvet 1900-1902, trubullimet vazhduan, në
Kosovë, në qarkun e Shkodrës, edhe në jugë, por pa ndërlidhje, pa një drejtim të
përkashkët.

Të bindur se Turqia po e pengonte vazhdimisht bashkimin e Shqiptarëvet, Haxhi


Mulla Zeka dhe disa nga shokët e tij u vunë përsëri në lëvizje, në Prill të vitit 1901,
për të rimëkëmbur Lidhjen e Pejës, jo vetëm kundër armiqve të jashtëm po edhe
kundër qeverisë turke. Organizuan disa mbledhje nëpër qendra të ndryshme duke
prekur çështjen e autonomisë dhe të shkollavet shqipe. Në vilajetet e Kosovës dhe të
Manastirit po ngjanin përpjekje aty-këtu ndërmjet Shqiptarësh dhe ushtërisë turke.
Shënja trazimesh u çfaqën në Shqipërinë e Mesme dhe të jugës, në qarqet e Elbasanit,
të Beratit, të Vlorës. Qeveria turke bëri ndjekje të rrepta, dhe me shtytjen e saj u vra
në Pejë Haxhi Mulla Zeka, në Shkurt 1902. Kjo ngjarje e pezmatoi gjendjen edhe më
tepër. Shqiptarët sulmuan ndërtesën qeveritare të Pejës, arrestuan nëpunësit turq,
muarën në dorë të gjitha zyrat dhe i kërkuan me telegram Sulltanit lirimin e
bashkatdhetarëvet të tyre të burgosur. Lëvizja u përhap nëpër krahinat e tjera, në
Mitrovicë e në Prishtinë.

Në të njëjtën kohë, u ngritën Mirditasit bashkë me malësorët e Pukës, prenë rrugën


midis Shkodrës dhe Prizrendit, duke kërkuar që të lirohej nga internimi Prenk Bib
Doda.

Lëvizjet e Shqiptarëvet vazhduan më me forcë gjatë vitit 1903, sepse atëhere u vu në


planin ndërkombëtar problemi i reformavet të Maqedonisë, i cili shkakëtoi një tjetër
tronditje në Shqipëri.

Kishte disa vjet që Bullgaro-Maqedonasit, të shtytur e të përkrahur nga Bullgaria,


luftonin me çeta kundër autoritetit turk për reforma dhe autonomi. Vendi që
gjeografikisht (ose historikisht) quhet Maqedoni,banohej prej kombësish të ndryshme,
Shqiptarë, Bullgarë, Grekë, Serbë, Turq dhe Vllehë. Nga ana administrative,
përfshihej në vilajetet e Selanikut, Manastirit dhe Kosovës. Këtë ndarje, Porta e Lartë
e kishte bërë me qëllim që t'i vinte kombësitë e ndryshme kundra njëra-tjetrës si edhe
Myslimanët kundër të Krishterëvet. Me këtë mënyrë pengonte edhe formimin e një
Shqipërie të njësuar, mbasi Shqiptarët pjesëtohëshin në katër vilajete dhe, në dy prej
këtyre, qëndronin të përzjerë me popuj armiq nën të njëjtën administratë. Megjithatë,
në vilajetet e Kosovës dhe të Manastirit (ku ndodhej kjo përzjerje) shumicën e madhe
e përbënin krahinat shqiptare. Në trevat e banuara prej popullsish të tjera, Bullgaro-
Maqedonasit ishin më të shumët si numër. Këta kishin formuar një komitet
kryengritës dhe organizuar çeta me fjalën: "Maqedonia për Maqedonasit". Grekët dhe
Serbët nuk deshën të mbetëshin pas. Të parët, me përkrahjen e Patrikanës dhe të
qeverisë s'Athinës, të dytët, me ndihmën e Belgradit, krijuan çetat e tyre por me cuba
t'ardhur prej gjetiu. Kurse çetat bullgaro-maqedonase përbëhëshin prej vendasvet. Të
tre llojet luftonin kundër Turqvet, po edhe kundër njëri-tjetrit.

Shqiptarët, për arësyet e ditura, nuk formonin dot një tërësi t'organizuar, nuk kishin
një qendër drejtonjëse, nuk kishin një shtet fqinjë, prej racës së tyre, që t'i përkrahte.
Kërkesat për autonomi qëndronin më fort në mendjen e Rilindasvet se sa në
përpjekjen e masavet popullore tek të cilat frika e fqinjëvet ishte m'e madhe. Prandaj
ndodhëshin në një gjendje tepër të rrezikshme, mënjanë, në kryengritje të
vazhduarshme, por të çrregullta, kundër Turqvet, n'anën tjetër shtrëngohëshin të
luftonin për këta kundër fqinjëvet, sepse copëtimi i Turqisë donte të thoshte njëherësh
edhe copëtim i tokavet shqiptare. Për të shtruar lëvizjen e Maqedonasvet, Turqit patën
përdorur edhe Kosovarët, të cilët ndodhëshin në një mospajtim kombëtar prej njëmijë-
e-pesëqind vjetësh kundrejt Shkjaut. Ndoshta edhe ndjenja fetare i shtonte diçka
urrejtjes ndërmjet dy racavet, por Shqiptarë e Sllavë kishin qënë armiq nja dhjetë
shekuj më parë se të vinin Turqit me islamizmin. Prova është se edhe Shqiptarët
katolikë ishin kundër Sllavëvet po aq sa myslimanët. Pra qëndresa që Kosovarët i
bënin Shkjaut ishte për mprojtjen e truallit të tyre, kurse Turqia edhe Evropa e
paraqitnin si një luftë myslimanësh kundër të krishterëvet duke i mbajtur Shqiptarët
për "Turq". Kjo gjë ishte n'interesin e Turqisë dhe të fqinjëvet ballkanike, por e
dëmtonte shumë çështjen tonë kombëtare.

Austro-Hungaria dhe Rusia, duke parë se trazimet në Ballkan po trashëshin, i dhanë


Portës së Lartë një plan reformash, në Shtator 1902, ku, përveç të tjerave, kërkonin që
të Krishterët të bënin pjesë në forcat e mbajtjes së qetësisë, polici e gjindarmëri. Në
fillim të Dhjetorit t'atij viti, Sulltani e shpalli programin e reformavet dhe ngarkoi për
zbatimin e tyre si inspektor të përgjithshëm Hysen Hilmi Pashën. Por ashtu si i
mendonte Turqia, reformat ishin gjysmake dhe të ngadalshme, prandaj Petrogradi dhe
Viena, në Shkurt 1903, ia përsëritën më me forcë programin e ndryshimevet për
Maqedoninë, të pranuar këtë radhë edhe nga fuqitë e tjera të mëdha.

Gjatë kësaj kohe, veziri i madh (kryeministri) i Turqisë, Said Pasha, kishte dhënë
dorëheqjen, dhe vendin e tij e zuri Ferid Pashë Vlora, i cili, ndonëse ishte prej
kombësie shqiptare, nuk bëri asgjë për Shqipërinë. Sulltani e emëroi këtë ndoshta
edhe me qëllim për të paqësuar Shqiptarët e për t'i lidhur më ngushtë me Turqinë, ose
për t'i treguar Evropës se Shqiptarët ishin të njëjtë me Turqit.

Lëvizjet kryengritëse po merrnin hov më të madh. Puna e zbatimit të reformavet i


tronditi Shqiptarët e vilajetevet të Manastirit e të Kosovës, të cilët parashikonin se
Evropa po i vinte nën Bullgaro-Maqedonasit. Në krahinën midis Gjakovës e Pejës dhe
deri në Prishtinë e në rrethet e Novi-Pazarit filluan trubullimet. Turqia dërgoi
komisione për t'ua shpjeguar çështjen Shqiptarëvet dhe për t'i bindur, por pa dobi.
Këta u përgjigjën se nuk ishin kundër reformavet në vetvehte, po kundër copëtimit të
vendit, mbasi programi austro-rus ndihmonte Sllavët dhe mbizotërimin e
Maqedonasvet në krahinat e banuara prej Shqiptarësh. Kërkuan gjithashtu njohjen e
kombësisë shqiptare me të drejtat e saja. Turqit atëhere përdorën forcën, por
kryengritësit nuk u stepën, pushtuan Vuçiternin, rrethuan Prishtinën dhe i sulmuan me
rreptësi fuqitë turke në Mitrovicë. Në pamundësi që t'i shtypte, Turqia provoi të gjente
një marrëveshje me Kosovarët, mbasi arrestoi dhe dërgoi n'internim një numër të mirë
prej krerëvet të tyre.

Maqedonasit nuk u kënaqën as me programin austro-rus të reformavet, i cili po


zbatohej shumë ngadalë, prandaj u pregatitën të hidhëshin në një kryengritje të
përgjithshme kundër Turqvet, në fillim të Gushtit 1903. Qeveria e Stambollit ishte në
dijeni të këtij plani dhe kishte marrë masat. Luftime të përgjakshme ngjajtën në rrethet
e Manastirit dhe vazhduan disa muaj duke u shtrirë gjer në Thrakë. Puna mund
t'arrinte në një përpjekje ndërmjet Bullgarisë dhe Turqisë, prandaj Austro-Hungaria
me Rusinë shpejtuan të ndërhynin. Perandorët e tyre u takuan në Murzsteg, Austri, në
fillim të Tetorit 1903, dhe bënë propozimet e fundit përsa iu përkiste reformavet në
Maqedoni, të cilat u pranuan edhe prej fuqivet të tjera të mëdha. Ky program, që iu
dorëzua qeverisë turke më 22 t'atij muaji, parashihte një ndryshim në përcaktimin e
njësivet administrative, mbasi të qetësohej vendi, me qëllim që të rregullohej më mirë
grupimi i kombësive të ndryshme, dhe krijimin e një gjindarmërie ndërkombëtare nën
autoritetin e Portës së lartë. Natyrisht, Austro-Hungaria dhe Rusia mbikqyrnin
vepërimet e inspektorit të përgjithshëm turk dhe kishin përfaqësonjësit e tyre në
komisionet e hetimevet.

Siç shihet, Italia nuk u përfill fare në bisedimet e Murzsteg-ut. Kjo gjë i zemëroi
qarqet italiane, të cilat zunë të dyshonin se Austria po e pregatiste për vehte pushtimin
e Shqipërisë duke e ndarë Ballkanin me Rusinë. Kur u caktuan njësitë e gjindarmërisë
ndërkombëtare për krahinat e Maqedonisë, Austria mbajti për vehte vilajetin e
Kosovës. Kurse Italia, me përkrahjen e Francës dhe t'Anglisë, deri diku edhe të
Rusisë, mundi të merrte për gjindarmarinë e saj mbikqyrjen e vilajetit të Manastirit.
Viena kërkoi me këmbëngulje që të përjashtohëshin nga zona e reformavet, në
vilajetet e Kosovës e të Manastirit, krahinat me popullsi shqiptare, të cilat i shikonte si
një hapësirë të ndikimit të saj dhe nuk lejonte në to ndërhyrje tjetër, as atë t'Italisë.
Kështu Komisioni ushtarak ndërkombëtar, kur ndau ndërmjet fuqivet të mëdha njësitë
administrative për organizimin e gjindarmërisë, përjashtoi nga zona e reformavet, në
vilajetet e Kosovës e të Manastirit, sanxhakun e Novi Pazarit, pjesën jugëperëndimore
të sanxhakut të Pejës, sanxhaqet e Prizrendit, të Dibrës, t'Elbasanit, të Korçës (përveç
kazasë së Kosturit) dhe pjesën perëndimore të kazasë s'Ohrit, për shkak se gjoja
Shqiptarët e këtyre krahinave ishin kundër reformavet.

Në Prill 1903, Italia i pati propozuar Austrisë që të mendonin së bashku një program
reformash edhe për Shqipërinë, si ai që po i njihej Maqedonisë, por Viena s'iu përgjigj
fare. Pastaj, kur u përcaktua zona e reformavet, në të cilën nuk përfshihëshin krahinat
shqiptare të vilajetevet të Kosovës e të Manastirit, Italia propozoi që këto krahina të
lidhëshin me vilajetet e Shkodrës e të Janinës për të pregatitur me këtë bashkim
krijimin e një Shqipërie autonome. Por as këtë herë nuk u dëgjua prej Austro-
Hungarisë. Ankimevet që ngritën Shqiptarët se përse reformat e Maqedonisë nuk u
zbatuan edhe për Shqipërinë, Austria iu përgjigjej se gjendja e brendëshme e
Shqipërisë nuk ishte akoma e përshtatshme, se nuk duhëshin shpejtuar punët përpara
kohe etj.

N'ato rrethana, shtypi britanik mori mprojtjen e Shqiptarëvet duke nxjerrë edhe një
herë në dritë mendimet e ish-ambasadorit Goschen dhe propozimin që bëri më 1880
E. Fitzmaurice-i për formimin e një Shqipërie ethnike me vilajetet e Shkodrës e të
Janinës dhe me krahinat shqiptare të vilajetevet të Kosovës e të Manastirit. Sikur ai
propozim t'ishte pranuar prej fuqivet të mëdha, shkruante një gazetë e Londrës,
Shqiptarët do të kishin pasur mjaft kohë për të siguruar të drejtat tokësore dhe për të
forcuar bashkimin kombëtar në mënyrë që të pregatitëshin për pavarësinë.

Një rishikim të traktatit të Berlinit dhe bashkimin e tokavet shqiptare brenda vijavet
që kishte propozuar Lordi E. Fitzmaurice më 1880, e kërkonin edhe Arbëreshët e
Italisë, me zërin e Anselmo Lorecchio-s. Por ai që u tregua ndër ta m'i gatishëm për t'u
hedhur në luftë kryengritëse, ishte Zef Schiroj. Për t'i ardhur në ndihmë Shqipërisë,
Arbëreshët kishin formuar n'atë kohë edhe një Komitet Vepërimi. Por, ndonëse e
donin Shqipërinë megjith zemër, këta nuk mund t'i shpëtonin krejtësisht ndikimit të
rrymavet politike italiane, mbasi jetonin si nënshtetas t'atij vendi. Prandaj luftën e tyre
për çlirimin e Shqipërisë e lidhnin me lëvizjen irredentiste të disa qarqeve italiane
kundër Austrisë, dhe patën hyrë në bashkëpunim me ato. Që më 1903, kur zjente
çështja e reformavet të Maqedonisë, gjeneral Ricciotti Garibaldi, duke dashur të
ndiqte shembullin e t'et (Giuseppe Garibaldi-t) si çlironjës i popujve të robëruar,
pranoi të vihej në krye të një shpedite për në Shqipëri, me kusht që të kishte me vehte
1000 Arbëreshë t'Italisë, pëlqimin e Shqiptarëvet t'Epirit, dhe t'i sigurohëshin mjetet e
lundrimit si edhe vendi i nisjes dhe ai i shkarkimit. Ky plan nuk u zbatua sepse, përveç
pengesash të tjera, Austria nuk lejonte ndërhyrje ushtarake nga ana e Italisë në
Shqipëri.

Në Mars 1904, Ricciotti Garibaldi, i cili bënte pjesë në grupet e Italianëvet


irredentistë, thirri në Romë një numër personalitetesh prej Arbëreshëvët për
t'organizuar edhe një lëvizje të Shqiptarëvet n'Itali. Kështu u formua Këshilli Shqiptar
i Italisë me programin "Shqipëria për Shqiptarët", nën kryesinë e gjeneral Garibaldi-t.
Qëllimi i kësaj organizate ishte lidhja e një bashkëpunimi sa më të ngushtë ndërmjet
Arbëreshëvet, Shqiptarëvet të kolonivet dhe t'atyre n'atdhe, duke siguruar njëkohësisht
përkrahjen e Italisë, për të mprojtur të drejtat e kombit shqiptar.
Vepërimi i Komitetit t'Arbëreshëvet dhe i disa qarqeve liberale e demokrate italiane të
lëvizjes pro-Albania vazhdoi, gjer më 1911, duke pasur si qëllim dërgimin e një fuqie
nën kumandën e gjeneral Garibaldi-t për të ndihmuar kryengritjen shqiptare, qëllim që
s'u arrit dot.

Disa atdhetarë të kohës, si Faik Konitza e të tjerë, nuk e patën pritur mirë këtë
interesim të Ricciotti Garibaldi-t, t'Arbëreshëvet dhe të qarqeve demokrate italiane,
sepse shihnin prapa tyre ndërhyrjen e Italisë në Shqipëri. Sigurisht, lëvizja e
Arbëreshëvet nuk mund të ndahej kryekëput prej politikës italiane dhe çfaqej haptazi
kundër vepërimevet t'Austrisë në lidhje me Shqipërinë. Po edhe ndjenjat e dashurisë
së tyre për atdheun e vjetër, për vëllezërit e gjakut e të gjuhës përtej Adriatikut, nuk
mund të mohohëshin. Përgjithësisht, ata Shqiptarë që anonin nga politika e Vienës dhe
Orthodoksit që mbahëshin me Patrikanën greke nuk e shikonin me sy të mirë lëvizjen
e Arbëreshëvet. Por sidoqoftë, përpjekja e këtyre e ndihmoi mjaft çështjen kombëtare
duke përhapur zërin e Shqipërisë dhe duke i bërë të njohura të drejtat e saja, jo vetëm
n'Itali po edhe n'Evropë.

Mbi punët e Ballkanit, n'atë kohë, vendosnin Rusia me Austro-Hungarinë, dhe kjo e
fundit nuk lejonte që të përzjehej tjetërkush në çështjet e Shqipërisë.

Natyrisht, porsa që Shqiptarët vetë nuk ishin të zotët për një vepërim t'organizuar nga
brenda dhe t'i kërkonin me forcë të drejtat e tyre - siç bënë Maqedonasit - duhej të
prisnin kur t'iu vinte radha që t'i pushtonte Austro-Hungaria a ndokush tjetër, ose t'a
nxirnin dufin e zemrës me protesta e telegrame. Kur u mblodh në Manastir, nën
kryesinë e Hysen Hilmi Pashës, Komisioni i Veçantë i reformavet për Maqedoninë, në
të cilin përfaqësohëshin të gjitha kombësitë e Turqisë evropiane përveç Shqiptarëvet,
Nikolla Naçua me disa atdhetarë të tjerë, prej të tri fevet, iu drejtuan nga Bukureshti
një thirrje Sulltanit dhe fuqivet të mëdha, më 14 Tetor 1903, duke kërkuar që
kombësia shqiptare të njihej zyrtarisht, që vilajetet e Janinës dhe të Shkodrës të
përfshihëshin në programin e reformavet dhe të kishte një përfaqësonjës shqiptar në
Komisionin e Veçantë.

Të njëjtat lutje e memorandume iu drejtuan Konferences së Hagës, më 1907, nga


shoqëritë shqiptare të mërgimit, për të kërkuar autonominë administrative të
Shqipërisë etj., duke theksuar se Shqiptarët e të tri fevet ishin vëllezër midis tyre.

U zgjatëm ca mbi reformat e Maqedonisë sepse ky ishte rasti ku Shqiptarët, sikur të


kishin qënë të lidhur e t'organizuar nga brenda, mund të kishin fituar autonominë, dhe
fati i Shqipërisë do të kishte marrë një tjetër drejtim. Por pa organizimin dhe lidhjet e
brendëshme s'mund të fitonin as mund të fitojnë gjëkafshë kurrë, edhe sikur të bëhej,
siç thotë populli i ynë, "deti kos dhe mali pilaf".
Mbetja e vilajetevet të Janinës e të Shkodrës dhe e një pjesës së madhe nga vilajetet e
Kosovës e të Manastirit jashtë zonës së reformavet, mund të quhej si një farë njohjeje
e tërthortë që këto toka ishin Shqipëri. Por deri sa Turqia nuk njihte zyrtarisht një
kombësi shqiptare, nuk mund të flitej as për kufij të Shqipërisë. Pasi të sigurohej
qetësia në Ballkan, Porta e Lartë do të bënte ndryshime në kufijtë e njësivet
administrative, sipas programit të Murzsteg-ut, për të rregulluar më mirë grupimin e
kombësivet të ndryshme. Për Shqipërinë, puna s'vihej fare në bisedim, sepse Turqia
nuk njihte një kombësi të tillë. Por të tjerët, Grekë, Bullgarë, Serbë, nisën të luftonin
midis tyre për të zgjeruar seicili kufijtë e grupit të tij në ndarjet e reja administrative.
Kështu ndërhyrja e fuqivet të mëdha për reformat, në vend që t'a shuante zjarrin me
ujë, i hodhi vajguri. E keqja ishte se çetat e Grekëvet, të Bullgarëvet, të Serbëvet,
donin të shkelnin edhe në krahinat shqiptare, të cilat i quanin të Turqisë ose toka pa
zot. Përveç në Maqedoni, çetat greke nisën të vepronin edhe n'Epir për të shtypur
lëvizjen shqiptare me anën e tmerrit. Ngado që shkonin, bënin vrasje e pllaçkitje. Në
Shkurt 1905, na vranë priftin e vlefshëm At Kristo Negovanin, sepse shkruante e
mësonte shqip dhe fliste shqip në kishë. Kjo ngjarje bëri një përshtypje të thellë në
tërë qarqet shqiptare.

Kur kërcet pushka, fjalët nuk dëgjohen më. Forcës s'armëvet s'mund ti qëndrohet
veçse me forcën e armëvet. Prandaj edhe Shqiptarët u vunë t'organizonin çetat e tyre
(ose kumitat, si quhëshin atëhere). Në fillim të vitit 1906, u formua në Manastir një
komitet i fshehtë, "Komiteti për Lirinë e Shqipërisë", me Bajo Topullin, ish nëndrejtor
i gjimnazit turk, Fehim Zavalanin, kolonel Halit Bërzeshtën, Gjergj Qiriasin, e të tjerë.
Qëllimi i Komitetit të Manastirit ishte për të përhapur lëvizjen politike e kulturore
shqiptare, të pështetur edhe me armë, "për të ngjallur Shqipërinë, duke mbjellë
vëllazërinë, dashurinë, bashkimin, e për t'a shpëtuar nga zgjedha dhe errësira në të
cilën gjëndej". Duhej luftuar kundër sundimit turk me anën e çetavet, duke iu prerë
njëkohësisht hovin edhe cubavet grekë. Komiteti i Manastirit shtriu degët në
Shqipërinë e jugës dhe të veriut, sidomos në Kosovë, ku dërgoi një nga antarët e tij,
Idris Jakovën. Në Gjakovë u krijua një qendër e shëndoshë, me në krye Bajram
Currin. Bajo Topulli erdhi në qarkun e Korçës dhe formoi të parën çetë shqiptare, nën
kumandën e tij. Nuçi Naçi u dërgua për të bërë propagandë në rrethet e Follorinës.

Komiteti i Manastirit shënon një çap të ri në lëvizjen kombëtare: organizimin e


forcavet nën udhëheqjen e njerëzve të vetëdijshëm, të disiplinuar, të frymëzuar prej
një ideje, me një qëllim e program të caktuar, dhe që drejtohëshin nga një qendër e
vetëme. Prandaj u përkrah nga shoqëritë e jashtëme, të Sofjes, të Bukureshtit,
t'Egjyptit, t'Amerikës. Mjerisht gjendja shoqërore e Shqipërisë ishte akoma shumë e
prapambetur. Lëvizjet e çrregullta vazhdonin në Kosovë, në veri, në Shqipërinë e
Mesme. Në Maj 1905, populli i Elbasanit kishte përzënë mytesarrifin turk dhe
kumandarin e gjindarmërisë. Stambolli dërgoi pas disa javësh Shemsi Pashën për të
shtruar vendin dhe për të shtypur çdo lëvizje që lidhej me idenë e pavarësisë
shqiptare.

Vëzhgimi ishte i gjithanshëm, aq sa qeveria turke ra shpejt n'erë të Komitetit të


fshehtë të Manastirit edhe u vu t'a ndiqte. Ky u shtrëngua t'a çonte qendrën e tij në
Bukuresht, duke lënë në Manastir një komitet të vogël krahinor.

Ndërkaq, çeta e Bajo Topullit, e përbërë prej fshatarësh dhe disa studentësh t'ikur nga
Manastiri, gjeti në Kolonjë përkrahjen e Sali Butkës e t'atdhetarëve të tjerë, veproi
gjatë prendverës dhe verës së vitit 1906 në rrethet e Përmetit, Leskovikut, rrotull
Korçës e në Devoll. Kundër vepërimit të çetavet kombëtare u tërbuan kleri grek dhe
grekomanët, të cilët thirrën antartët (çetarët grekë) që t'iu bënin tmerre Shqiptarëvet.
Por këta nuk u trembën. Për t'iu dhënë një përgjigje antartëvet dhe për të marrë gjakun
e At Kristo Negovanit, çetarët shqiptarë vranë, në Shtator 1906, mitropolitin grek të
Korçës, Fotios. Disa muaj më vonë, Grekët vranë në Selanik Spiro Kosturin, të birin e
atdhetarit shqiptar Jovan Kosturi. Kështu lufta dhe gjakrat po vinin duke u nxehur nga
të dy anët.

Të ndjekur nga forcat turke, vëllezërit Bajo dhe Çerçis Topulli u shtrënguan të
largohëshin nga Shqipëria, në muajin e Nëntorit 1906, për t'a kaluar dimrin në
Bukuresht e në Sofje. Q'andej Çerçis Topulli i drejtoi popullit shqiptar një thirrje për
t'a shtytur kundër zgjedhës turke, duke i thënë: "Qëllimi i ynë është të ngrihemi të
gjithë së bashku, Gegë edhe Toskë, dhe të luftojmë me armë në dorë për lirinë e
Shqipërisë sonë të dashur...". Në Bukuresht u bashkua me vëllezërit Topulli atdhetari i
flakët Mihal Gramenua, i cili pastaj bëri pjesë në çetën e Çerçizit dhe u përpoq të
përhapte ndjenjat kombëtare.

Në Sofje u pregatit çeta e re, që kaloi nga Italia dhe zbriti në bregdetin shqiptar afër
Vlorës, në Maj 1907, me kumandar Çerçis Topullin dhe frymëzonjës Mihal
Gramenon. Bashkimi i këtyre të dyve në një çetë ishte simboli i vëllazërimit ndërmjet
Shqiptarëvet myslimanë e orthodoks.

Ndonëse e gjurmuar prej autoritetevet, çeta e Çerçis Topullit pritej mirë ngado që
shkonte, gjente strehë nëpër fshatrat dhe nëpër teqetë e Bektashinjvet. Gjatë vitit 1907
u përpoq sidomos të përhapte ndjenjat kombëtare në popull, duke shpërndarë libra,
gazeta, flamure e fotografi të Skënderbeut që kishte sjellë nga kolonitë e Sofjes e të
Bukureshtit.

Duke i rënë rreth e qark Shqipërisë së jugës, grupi i Çerçis Topullit u takua miqësisht
me çetat e Bullgaro-Maqedonasvet në Grazhdan të Prespës dhe n'afërsitë e Kosturit.
Mbasi Maqedonasit luftonin n'atë kohë jo vetëm kundër Turqvet po edhe kundër
Grekëvet, kërkonin bashkëpunim me Shqiptarët. Grupi i Çerçizit u çudit me zotësinë e
organizimit dhe disiplinën e çetavet bullgaro-maqedonase, nga të cilat mësoi mjaft
gjëra.

Veprimtaria luftarake u shtua në prendverën e vitit 1908. Në fillim të Marsit, çeta e


Çerçizit vrau në Gjirokastër kumandarin turk të gjindarmërisë, i cili ishte treguar
ndjekës i rreptë kundër atdhetarëvet shqiptarë. Më 18 t'atij muaji ngjau përpjekja e
famshme në Mashkullorë, ku Çerçis Topulli me trimat e tij e çau rrethimin që i bëri
ushtëria turke. Ky luftim pati nj'oshëtimë të gjerë dhe mbeti i paharruar në këngët
popullore.

Mbasi vepërimi tërheq dhe ngjall enthusiazëm, fshatarë dhe intelektualë të rinj
bashkohëshin me Çerçizin, ose formonin çeta të tjera të lidhura me atë të këtij, e cila u
quajt çeta plakë.

Komiteti i Manastirit dhe lufta e çetavet i jepnin lëvizjes shqiptare një karakter të
përgjithshëm kombëtar, të lidhur me idenë e bashkimit dhe të pavarësisë, ndryshe nga
kryengritjet e çrregullta krahinore, të cilat bëhëshin shpeshëherë për interesat e
kufizuara të krahinës ose të disa personave. Duke luftuar njëheresh kundër Turqvet
dhe Grekëvet, ndjenja e vëllazërimit kombëtar ndërmjet Myslimanëvet dhe
Orthodoksvet, sidomos tek idealistët e rinj, forcohej, dhe përçarja që kishin mbjellë
besimet e huaja, fanatizmi i verbër i dikurshëm, mbytej nën hovin ringjallës: "atdheu
përmbi të gjitha".

Më 1907, Bajo Topulli shkoi n'Amerikë për të mbledhur ndihma dhe djem të rinj për
çetat. Parashihej një kryengritje e përgjithshme për në verën e ardhshme, prandaj
duhëshin kuadra të përbëra nga njerëz të mësuar, të vetëdijshëm, të disiplinuar, dhe jo
prej bejlerësh, bajraktarësh dhe agallarësh, që s'vlenin gjë për një vepërim të lidhur e
të bashkërenditur, sepse seicili prej tyre ishte një kokë më vehte, një "shtet" më vehte,
dhe s'mund t'i shtrohëshin asnjë disipline. U nis prej Amerike një grup vulletarësh me
Petro Nini Luarasin, në prendverën e vitit 1908, dhe arriti në Shqipëri nga ana e
Sofjes. Por n'atë kohë erdhën në fuqi Turqit e Rinj me Kushtetutën e tyre, dhe punët
muarën një tjetër drejtim.

Turqit e Rinj ose Xhonturqit (prej frëngjishtes, Jeunes Turcs) ishin një lëvizje e
ndikuar nga idetë e reja evropiane dhe përpiqëshin prej shumë vjetësh të përmbysnin
absolutizmin e Sulltanit për t'a kthyer Turqinë në një shtet me kushtetutë liberale. Në
këtë mënyrë - mendonin ata - do t'a shpëtonin Perandorinë nga shkatërrimi duke e
përparuar dhe duke iu dhënë liri të mjafta popujvet që e përbënin. Kjo ishte edhe rruga
për t'iu prerë hovin ndërhyrjeve të fuqivet të mëdha. Vepërimi për një regjim liberal,
në Turqi, kishte nisur me Midhat Pashën, përpara 1870-ës, dhe Sulltan Abdul Hamiti
vetë e kishte pranuar Kushtetutën e re më 1876, pastaj e shkeli shpejt. Por ajo që u
quajt lëvizje e Turqvet të Rinj nisi rreth vitit 1890 me grupin e organizuar në Stamboll
prej një Shqiptari nga Struga, i quajtur Ibrahim Temo. Duke gjetur konditat e
përshtatshme në moskënaqësinë e shkaktuar prej regjimit t'Abdul Hamitit, shoqëria e
fshehtë e Temos, e cila e pati ndoshta që në fillim emrin "Bashkim e Përparim"
(turqisht, Ittahat ve Terakki), u përhap pas disa vjetësh dhe lëshoi degë nëpër qendra
të ndryshme. Kur nisën ndjekjet nga ana e autoritetevet ata antarë t'organizatës që u
kapën, u burgosën ose u internuan, të tjerë u arratisën jashtë Turqisë; Temua vetë
shkoi në Rumani, ku filloi të përzjehej edhe në çështjet shqiptare.

Në Kongresin e parë të Turqvet të Rinj në mërgim ose t'Otomanëvet Liberalë, që u


mbajt në Paris më 1902, përveç Ibrahim Temos, merrnin pjesë edhe Shqiptarë të tjerë,
ndër të cilët Ismail Qemali. Lëvizja përmblidhte jo vetëm Turq po edhe njerëz prej
popujve të tjerë të Perandorisë, mbasi premtonte liri për të gjithë, pa dallim feje e
kombësie. Mirëpo në Kongresin e Parisit u çfaqën dy rryma: njëra, e kryesuar prej
princit Sabahedin, mendonte t'iu bënte thirrje fuqivet të mëdha për t'a detyruar
Sulltanin që të vinte në fuqi Kushtetutën e vitit 1876, e cila iu njihte të drejtat
kombëtare popujvet të ndryshëm të Perandorisë; tjetra, e drejtuar prej ideologut
Ahmet Riza, nuk donte t'i përzjente fuqitë e mëdha në punët e brendëshme të Turqisë
dhe kërkonte vendosjen e një regjimi të përqendruar, domethënë nacionalist turk. Të
dyja këto rryma u dukën më vonë në lëvizjen e Turqvet të Rinj: e para, me fjalë, sa për
demagogji; e dyta, me punë, mbasi muarën fuqinë.

Ismail Qemali e kundërshtoi programin e pushtetit të përqendruar, mbajti anën e


shumicës liberale të kryesuar nga princi Sabahedin, edhe kërkoi që përfaqësonjësit e
kombësive të ndryshme në Kongres të njihëshin si të këtillë dhe të paraqitnin kërkesat
e tyre. Vetëm nëpërmjet të një kushtetute që do t'iu njihte liritë administrative popujve
jo-turq mund t'arrihej n'autonominë e Shqipërisë.

Pas disa vjetësh, lëvizja e Turqvet të Rinj nisi të krijonte qendra brenda në
Perandorinë Otomane. Më 1906, u formua në Selanik një shoqëri e fshehtë, e cila u
quajt "Komiteti për Bashkim e Përparim". Pak më vonë, si qendër e dytë e këtij
komiteti u bë Manastiri. Në fillim dukej sikur këto shoqëri mbinin vetvetiu, pa lidhje
me Turqit e Rinj të mërgimit, por kishin të njëjtin emër Bashkim e Përparim dhe
hidhnin po ato fjalë, për një kushtetutë liberale, për zgjedhjen e një parlamenti ku të
gjithë popujt e Perandorisë do të përfaqësohëshin njëlloj, pa dallim feje e kombësie.
Ky program ushtronte një tërheqje të madhe mbi Shqiptarët, të cilët luftonin pikërisht
për njohjen e kombësisë së tyre. Prandaj, qysh në fillim në komitetet "për Bashkim e
Përparim" të Selanikut e të Manastirit, përveç Turqvet, pati edhe Shqiptarë. Në një
kohë të shkurtër, Turqit e Rinj i shtrinë degët e komitetevet të tyre pothuajse në të
gjitha qytetet e Shqipërisë, në jugë e në veri, në Maqedoni e në Kosovë, duke
bashkëpunuar ngushtë me Shqiptarët. Aty-këtu nisën të përzjehëshin me komitetet e
lëvizjes kombëtare shqiptare, të cilëvet iu thoshin se luftonin për të njëjtin qëllim.
Duke përfituar nga dobësia që tregonte regjimi i Sulltan Hamitit përpara ndërhyrjevet
të fuqivet të mëdha (Austro-Hungaria mori të drejtën e ndërtimit të një hekurudhe në
zonën e Novi-Pazarit e të Mitrovicës dhe Anglia me Rusinë vendosën një tjetër
program reformash për Maqedoninë, në Qershor 1908), Turqit e Rinj i shfrytëzuan
këto raste për të tërhequr në lëvizjen e tyre intelektualë, nëpunës, krerë e popull, por
sidomos oficerë e reparte t'ushtërisë.

Në prendverën e vitit 1908, administrata zyrtare në Shqipëri e në Maqedoni u çthur


pothuajse krejt. Oficerët shqiptarë që shërbenin n'ushtërinë e rregullt u bashkuan me
Turqit e Rinj. Njëri prej tyre, Ahmet Niazi Beu nga Resnja, u arratis më 3 të Korrikut
bashkë me grupin e ushtarëvet që kumandonte, kaloi nëpër krahinat e Ohrit, të Dibrës,
t'Elbasanit e të Korçës duke gjetur kudo përkrahjen e popullsisë. Nëpunësit besnikë të
regjimit të vjetër dhe mbledhësit e taksavet u përzunë prej këtyre krahinave. Gjendja
po ndryshonte prej një dite në tjetrën. Komiteti shqiptar i Korçës, dhe pastaj ai i Ohrit,
iu bënë thirrje çetavet të tyre që të bashkëpunonin me kryengritësit turq nëpërmjet të
Niazi Beut. Me këtë të fundit patën një pjekje edhe Çerçis Topulli me Mihal
Gramenon.

Si kryeqendra e Turqvet të Rinj, në Ballkan, njihej Selaniku, ndonëse në të vërtetën


çdo krahinë a qytet vepronte sipas rrethanavet dhe konditave të veçanta por duke iu
mbajtur të njëjtit program. Në Komitetin "Bashkim e Përparim" të Selanikut ishin
antarë oficeri i ri, Enver Beu, dhe Talati, që u bënë pastaj përsonalitete të radhës së
parë. Enver Beu u arratis edhe ai me një grup ushtarësh pak ditë përpara se t'ikte
Ahmet Niazi Bej Resnja.

Gjendja dukej e pjekur për t'i dhënë grushtin e fundit regjimit të Sulltan Hamitit. Është
për t'u çuditur që edhe në këtë rast Shqiptarët lozën një rol të radhës së parë, si
gjithmonë kur ka qënë puna për t'iu shërbyer shteteve, lëvizjeve e qëllimeve të huaja.
Sadoqë këtë herë kishin një farë çfajësimi sepse shpresonin, me ndërrimin e regjimit,
të fitonin të drejtat e tyre.

Në fillim të Korrikut 1908, Turqit e Rinj iu bënë një thirrje Shqiptarëvet të Kosovës
për t'i lidhur me vehte, duke iu treguar rreziqet që iu kërcënohëshin sikur të vazhdonte
regjimi i vjetër. Thirrja qëlloi kur duhej, sepse programi anglo-rus i reformavet të reja
për Maqedoninë dhe ndërmarrja e ndërtimit të hekurudhës prej Austro-Hungarisë e
kishin shqetësuar fort popullin e Kosovës. Sipas lajmevet të përhapura, ndoshta
qëllimthi prej Turqvet të Rinj, qeveria kishte ndër mend t'ia shiste Austrisë tokat e
fshatarëvet dhe Maqedonia mund të fitonte autonominë duke përfshirë krahina
shqiptare. Nga ky shqetësim u ngritën me armë lart nga njëzet mijë fshatarë prej
rrethevet të Prizrendit, Gjakovës, Prishtinës, Vuciternit, dhe u mblodhën në Ferizaj.
Turqit e Rinj u përpoqën t'a shtinin në dorë këtë forcë dhe ia arritën qëllimit. Valiu i
Shkupit dërgoi kumandarin e gjindarmërisë, Galip Beun, për t'i qetësuar dhe
shpërndarë Kosovarët. Por Galip Beu ishte vetë antar i Komitetit "Bashkim e
Përparim" të Shkupit dhe, në vënd që t'i shpërndante, veproi në mënyrë që të
mblidhëshin Shqiptarë sa më shumë. Numri i tyre kaloi përmbi tridhjetë mijë.
Përfaqësonjësit e Turqvet të Rinj u a paraqitën Kushtetutën e re Kosovarëvet si të
vetëmen rrugë për t'i shpëtuar nga shtypjet, nga ndërhyrjet e huaja dhe nga rreziku i
copëtimit. Iu premtuan liritë zakonore, të drejtën e mbajtjes s'armëvet, çeljen e
shkollavet shqipe etj.

Mbledhja e Ferizajt, n'emër të popullit të Kosovës, i drejtoi një telegram Sulltan


Abdul Hamitit II, me anën e të cilit i kërkonte vënien në fuqi të Kushtetutës së vitit
1876 dhe mbledhjen e parlamentit. Ky telegram i ra Sulltanit si një grusht i papritur
dhe "bëri mbi të një përshtypje më të madhe se sa vrejtjet e të gjithë Turqvet ose të të
gjithë përfaqësuësvet diplomatikë t'Evropës", thuhet në Kujtimet e Ismail Qemalit. (A
nuk është për të vajtuar që, për vehten e tyre, për autonominë e tyre, as Kosovarët as
të gjithë Shqiptarët nuk ishin të zotët të bashkohëshin e të bënin një punë të këtillë?).

Pas tri ditësh, i trembur se ushtëria dhe kryengritësit po i hynin në Stamboll, Abdul
Hamiti II e vuri Kushtetutën në fuqi, më 24 Korrik 1908. Turqit e Rinj e kishin
shpallur në Selanik e në Manastir një ditë më parë.

Menjëherë pas njohjes së Kushtetutës prej Sulltanit, u formua qeveria e Turqvet të


Rinj. Kjo ngjarje, e cila atëhere u quajt Hyrrijet (liri), u prit me gëzim të madh prej
Shqiptarëvet duke shpresuar se Turqit e Rinj do t'a mbanin fjalën dhe do t'i rrinin
besnikë Kushtetutës. Nëpër qytetet u bënë mbledhje e kremtime të bujëshme, u liruan
të burgosurit, çetarët u kthyen prej malevet, u ndie kudo gjatë ca ditëve një frymë e re.
Vetëm disa fanatike myslimanë ose ata që përfitonin prej regjimit të vjetër e pritën
ftohët këtë ngjarje të madhe.

T'etshëm për liri, atdhetarët u vunë menjëherë të flasin e të shkruajnë shqip pa frikë, u
hapën klube shqiptarësh në shumë qendra. "Tani është dita edhe për neve të themi
lirisht që jemi Shqiptarë. Gjer më sot nuk mund t'a thoshim këtë, se na prisnin gjuhën,
na hidhnin në burg...", u fol në të parën ligjëratë që u mbajt në Selanik përpara një
mbledhjeje Shqiptarësh.

Ky enthusiazëm nuk vazhdoi gjatë. Turqit e Rinj ishin nacionalistë turq dhe kërkonin
me anën e një pushteti të përqendruar të turqizonin të gjithë popujt e Perandorisë.
Prandaj u vunë menjëherë t'a vëzhgonin për s'afërmi lëvizjen e Shqiptarëvet, sepse i
dinin qëllimet e këtyre për autonominë. Duke u pështetur në nenin 8 të Kushtetutës, i
cili thoshte se nënshtetasit e Turqisë, të çdo kombi, a feje që t'ishin, do të
quhëshin Osmanllinj, Turqit e Rinj zunë të krijonin nëpër qytetet e Shqipërisë, si në
çdo vend tjetër, Komitetet Osmane të Bashkimit, ku bënin pjesë Shqiptarë e Turq. Por
gjetën kundërshtime nga ana e popullsisë qytetare e fshatare, e cila kërkonte zbatimin
e Kushtetutës sipas premtimevet të dhëna, shkollat dhe autonominë. Turqit ndaluan që
të flitej për autonomi nëpër mbledhjet; megjithatë, ligjëratat e Shqiptarëvet
përfundonin zakonisht me fjalët "rroftë liria, rroftë Shqipëria!". Ata që e kishin besuar
demagogjinë e Turqvet të Rinj - domethënë shumica e madhe e popullit dhe e
intelektualëvet - u gjetën të gënjyer. Një nga të pakët që e kishin parashikuar drejt
punën ishte Sotir Peci, i cili shkruante në gazetën Kombi, më 24 Korrik 1908: "Është e
ditur që programi i Turqve të Rinj është krejt i përkundërtë më çështjen tonë
kombëtare. Turqit e Rinj qëllojnë t'i japin shpirt Turqisë dhe Shqiptarët kombëtarë
përpiqen t'a shporrin nga vendi i tyre dhe të vetqeverisen". Pak ditë më vonë, më 31
Korrik, vazhdonte: "Dëshira dhe mejtimi i çdo Shqiptari duhet të jetë vetqeverimi dhe
shpallja e një konstitucie kombëtare, e një shteti shqiptar. Atje duhet të drejtohen
gjithë vepërimet tona".

Pas shpalljes së Kushtetutës, vepërimi i parë i Shqiptarëvet qe formimi i klubevet (ose


shoqëri, siç u quajtën disa herë) si qendra kulturore. Turqit e Rinj nuk e penguan
krijimin e klubevet sepse shpresonin t'i përdornin për t'a futur lëvizjen shqiptare nën
drejtimin e tyre. Brenda katër a pesë muajve u hapën afro njëzet klube, shumica në
qytetet e Shqipërisë së jugës, por tre më të rëndësishmit ishin në Manastir, në Selanik
e në Stamboll. Bashkë me klubet dolën edhe gazetat shqipe, nja gjashtë a
shtatë: Lirija dhe Diturija në Selanik, Besa dhe pastaj Shqiptari, në
Stamboll, Bashkimi i Kombit, në Manastir, Bashkimi, në Shkodër, Korça dhe Lidhja
Orthodokse, në Korçë, Tomorri, n'Elbasan, përveç gazetavet të mërgimit që
vazhdonin si gjithmonë.

Në Shkodër, krijimi (ose vazhdimi) i një klubi ndeshi në fanatizmin e Myslimanëvet, i


cili kishte mbetur i padryshuar. Vështirësi të këtilla pati edhe në Kosovë, ku hoxhët e
ndjenin vehten më parë Myslimanë pa pastaj Shqiptarë. Atdhetarët menduan t'a bënin
Shkupin si kryeqendrën e kulturës dhe të veprimtarisë kombëtare për tërë Shqipërinë e
verilindjes që rrethohej prej shtetesh sllavë armiq. Qyteti i Shkupit dhe e tërë krahina,
sidomos ana perëndimore, banohëshin në shumicë të madhe prej Shqiptarësh nga
gjaku. Po për fat të keq, një pjesë e qytetarëvet fliste turqisht dhe i kishte humbur
ndjenjat kombëtare. Megjithatë, me përpjekjet e Nexhip Dragës u formua klubi
shqiptar edhe në Shkup. Kur u vu çështja për të zgjedhur një klub si kryeqendër që t'i
ndërlidhte të gjithë të tjerët, u paraqitën dy si më të përshtatshmit: ai i Selanikut, nën
kryesinë e Midhat Frashërit, dhe ai i Manastirit me kryetar Gjergj Qiriazin. U zgjodh
ky i dyti, i cili tregoi një veprimtari të gjallë për zhvillimin e lëvizjes kombëtare në
Shqipërinë e jugës dhe të Mesmen. Klubi i Janinës u përpoq të përhapte arësimin
shqip kundrejt shkollavet greqishte dhe t'i shkëpuste Shqiptarët orthodoks prej
ndikimit të Patrikanës greke.

Klubet qenë të shtrënguar t'a shpallnin botërisht se nuk merrëshin me politikë, por
vetëm me çështje kulturore. Fshehtas merrëshin sigurisht edhe me politikë, por s'mund
t'a thoshin hapur. Shumë prej atdhetarëvet e kuptuan që u gënjyen prej Turqvet të
Rinj, por s'kishin se ç'të bënin. Me përhapjen e mësimit, t'idevet, dhe me ndërlidhjet
midis tyre, klubet vlejtën për t'i dhënë shtytje e gjallëri lëvizjes kombëtare, prandaj
nuk ishin edhe fare të kotë siç qenë kritikuar nga disa atdhetarë të kohës. Kur poeti
Çajupi vizitoi klubin e Selanikut në fillim të vitit 1909, kishte të drejtë të çuditej dhe
të prekej në sedrën kombëtare nga afrimi ndërmjet këtij klubi dhe Turqvet të Rinj. Por
nga ana tjetër nuk duhej harruar se klubi i Selanikut ndodhej në një qendër që s'ishte
shqiptare dhe se aty e kishte kryet Komiteti "Bashkim e Përparim" i Turqvet të Rinj.
Prandaj duhej gjetur një mënyrë bashkëjetese me këta, ose duhej mbyllur klubi.

Sidoqoftë, edhe ashtu siç ishin, klubet, për të përmbushur detyrat e tyre n'anën
politike, u vunë të krijonin komitetet e fshehtë. Në këtë lloj vepërimi u treguan t'aftë
sidomos klubi i Manastirit edhe ai i Stamollit.

Puna m'e ngutshme për Shqiptarët, pas shpalljes së Kushtetutës turke, ishte hapja e
shkollavet shqipe për të cilat kishin luftuar një gjysëm shekulli. Këto filluan të
çelëshin me shumë zell në qytetet e nëpër ca fshatra. Dhe regjistrohëshin jo vetëm
fëmijë po edhe djelmosha të rritur. Për të mëdhenjtë u hapën shkolla nate. Abetaret e
librat filluan të vinin prej kolonivet, sidomos shtypëshkronja "Mbrothësia" e Sofjes
dërgoi një sasi të madhe. Shkollat dhe arësimi u organizuan e mbahëshin prej
klubevet, të cilët veprimtarinë më të gjallë të tyre e treguan në këtë drejtim. Në Berat
u çelën dy shkolla të mbajtura prej qytetarëvet, por mbasi shpenximet ishin të mëdha,
u caktua prej bashkisë një taksë mbi shitjen e lëkuravet dhe u vu monopoli i vajgurit.
Natyrisht, duhej gjetur çdo mjet, mungonte gjithçka, e në radhë të parë mësuësit.
Prandaj atdhetarët, intelektualët e klubevet, e bënë si një çështje nderi dhe si një
detyrë shumë të lartë dhënien e mësimevet në gjuhën shqipe, falas. Pengesat ishin të
mëdha dhe vinin nga shumë anë: nga mungesa e pajisjevet shkollore, e lokalevet, por
sidomos nga kundërshtimi i grekomanëvet dhe i turkomanëvet, të cilët gjenin
pështetjen e administratës zyrtare.

Megjithatë, një dekret i Ministrisë turke t'Arësimit lejoi mësimin e shqipes si gjuhë të
dytë në shkollat turqishte fillore e të mesme të Shqipërisë. Kjo u bë ndoshta me qëllim
për t'iu prerë hovin shkollavet shqipe, po sidoqoftë e ndihmonte përhapjen e gjuhës
amtare. Ishte për t'ardhur keq që Myslimanët e Shkodrës e kundërshtuan edhe këtë
vendim, sepse nuk donin shkolla shqipe as mësimin e shqipes. Nga ana tjetër, Kisha
greke vuri tërë forcën për të ndaluar mësimin e gjuhës amtare në popullsinë
orthodokse dhe kërcënoi me çkishërim prindërit e nxënësvet shqiptarë që ndiqnin
shkollat shqipe.

Me hapjen e shkollavet dhe zgjerimin e arësimit vihej si një problem i ngutshëm


caktimi i një abeceje të vetëme, mbasi deri atëhere kishte pasur disa të ndryshme. Për
këtë punë u mblodh Kongresi i Manastirit, në muajin e Nëntorit 1908, mbi vendimet e
të cilit kemi folur më sipër. Por aty u bisedua, në mbledhje të fshehta, me shtytjen e
Shahin Kolonjës, edhe një program i gjerë për t'iu paraqitur parlamentit turk në lidhje
me zhvillimin e arësimit kombëtar shqiptar; program aq i gjerë sa që nuk iu paraqit
fare parlamentit, se s'do të kishte asnjë mundësi pranimi.

Duke parë hovin që po merrte arësimi shqip dhe forcimin e ndjenjavet kombëtare,
Turqit e Rinj, të cilët ishin për turqizimin e popujvet të Perandorisë, u vunë të nxirrnin
pengesa. Si mjet të parë gjetën abecenë: duke shfrytëzuar fanatizmin e hoxhëve dhe të
disa Myslirnanëve, u përpoqën t'a zëvendësonin abecenë latine të shqipes me
shkronjat arabe. Kjo ndërhyrje, siç do t'a shohim, u bë një grindje e vërtetë.

Politikën e turqizimit qeveria e tregoi sheshit kur botoi ligjin e zgjedhjevet


parlamentare, në Shtator 1908. Deputetët duhej të paraqitëshin si Osmanllinj e jo si
përfaqësonjës grupesh kombëtarë, dhe ishte e domosdoshme që të dinin turqishten. Në
ndarjet krahinore të zgjedhjevet Turqit e Rinj bënë si deshën për të pasur shumicën.
N'atë rast klubet shqiptarë zhvilluan propagandën që të zgjidhëshin si deputetë të
Shqipërisë njerëz me ndjenja atdhetare dhe jo ata që gëzonin mprojtjen e Komitetit
"Bashkim e Përparim" të Turqvet të Rinj. Gjendja u acarrua. Katolikët, në Shkodër,
protestuan rreptësisht kundër mënyrës së zgjedhjevet dhe mohimit të së drejtës për të
votuar lirisht kandidatin e tyre. Një protestë bëri edhe klubi i Manastirit për zgjedhjen
e çrregullt të deputetit të Dibrës. N'Elbasan populli nuk desh të votonte për kandidatin
e paraqitur prej Turqvet të Rinj. Po ashtu Berati, kundër vullnetit të Turqvet, zgjodhi
Ismail Qemalin, i cili ishte kthyer në Shqipëri duke kaluar nga Athina ku, në një
intervistë që i dha shtypit, tha se Grekët ishin vëllezërit e Shqiptarëvet, gjë që shkaktoi
kundër tij një polemikë në gazetën Lirija të Midhat Frashërit.

Për të katër vilajetet e Shqipërisë u zgjodhën gjithësejt 26 deputetë, ndër të cilët


shquhëshin si atdhetarë Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Nexhip Draga nga Shkupi,
Hasan Prishtina e disa të tjerë. Këta deshën të qëndronin si grup kombëtar dhe u
bashkuan me krahun liberal të parlamentit, ku bënin pjesë edhe deputetë prej
kombësish të tjera, myslimanë e të krishterë. Të gjithë tok formuan partinë
e Liberalëvet(Ahrar), nën kryesinë e Ismail Qemalit. Ky grup bënte opozitën
parlamentare kundër shumicës së Turqvet të Rinj. Programi i tij përmblidhej pak a
shumë në mendimet që i çfaqi Ismail Qemali gazetës së Londrës, Pall Mall
Gazette, në Jenar 1909: "Turq, Grekë, Sllavë, Shqiptarë, Armenë, Arabë dhe të gjithë
popujt e tjerë të Perandorisë duhej të kishin të drejta të barabarta. Kjo ishte e vetëmja
rrugë shpëtimi për Turqinë".

Gjatë fushatës së zgjedhjevet, në Tetor 1908, Austro-Hungaria aneksoi Bosnjën e


Herzegovinën, të cilat i mbante të pushtuara që prej Kongresit të Berlinit.
Njëkohësisht shtyti dhe përkrahu Bullgarinë që të shpallej mbretëri e pavarur, mbasi
kjo deri atëhere njihej - të paktën formalisht - si shtet autonom nën Sulltanin. Ishin dy
shuplaka të rënda që Austro-Hungaria u jepte Turqvet të Rinj. Këta deshën me këtë
rast t'i lidhnin Shqiptarët më ngushtë pas politikës së tyre duke u treguar rreziqet e
jashtëme. Disa shqetësime u dukën aty-këtu dhe disa zhurma gazetash, sidamos nga
frika se mos shpallja e pavarësisë bullgare dhe aneksimi i Bosnjës e Herzegovinës
mund të nxitnin Serbinë, Malin-e-Zi dhe Greqinë kundrejt krahinavet të Shqipërisë.
Një mbledhje u bë disa muaj më vonë në Tepelenë për të marrë masa kundër çetavet
greke që po shtohëshin n'Epir. Propaganda për mos-blerjen e mallravet austriake gjeti
një farë pështetjeje në Shqipëri, por lëvizja e Shqiptarëvet kundrejt Austrisë nuk shkoi
më tutje.

Me politikën e tyre përqëndronjëse Turqit e Rinj po i keqësonin lidhjet me Shqiptarët


dhe kombësitë e tjera të Perandorisë. Lajmet qarkullonin se ishin duke u pregatitur
atentate kundër disa atdhetarëve shqiptarë. Më 12 Prill 1909, Komiteti "Bashkim e
Përparim" e shpalli se nuk ishte më një organizatë e fshehtë por një parti politike e
rregullt.

Qarqet e vjetra reaksionare, fanatikët muhamedanë dhe Sulltan Hamiti vetë deshën të
përfitonin nga pakënaqësia e përhapur kundrejt Turqvet të Rinj, duke shpresuar se do
të kishin përkrahjen e klasës feudale, të klerit mysliman, dhe sidomos të Shqiptarëvet.
Më 13 Prill 1909, disa trupa t'ushtërisë në Stamboll ngritën krye dhe e rrëzuan
qeverinë e Komitetit "Bashkim e Përparim". Sulltani emëroi një qeveri tjetër, e cila
kërkoi edhe përkrahjen e Shqiptarëvet. Por këta, me gjithë ankimet që kishin kundrejt
Turqvet të Rinj, nuk mund të ndihmonin këthimin e regjimit të vjetër, i cili s'iu kishte
njohur as të drejtën e hapjes së një shkolle. Prandaj si klubet ashtu edhe grupi i
deputetëvet shqiptarë në parlament nuk lëvizën, ose mbajtën anën e Komitetit
"Bashkim e Përparim". Kundër-revolucioni nuk gjeti pështetje gjëkundi dhe mbeti i
kufizuar vetëm në Stamboll. Atëhere armata e III turke e Maqedonisë, e kumanduar
prej gjeneralit Mahmud Shefqet Pasha, nën të cilin shërbente edhe Ahmet Niazi Bej
Resnja, u vu në lëvizje drejt kryeqytetit dhe hyri në Stamboll më 23 të Prillit. Planin e
vepërimevet ushtarake e drejtonte një Shqiptar, Ali Pashë Kolonja. Sulltan Abdul
Hamiti II u zbrit nga froni, dhe në vend të tij hipi i vëllaj, Mehmet Reshati V, i cili
s'ishte veçse një vegël në duart e Turqvet të Rinj.

Ndonëse edhe këtë radhë Turqit e Rinj ua detyronin pjesërisht Shqiptarëvet fitoren
kundër rivendosjes së regjimit të vjetër, nuk iu bënë asnjë lëshim kërkesavet
kombëtare të këtyre. Përkundrazi pasi u siguruan mirë në fuqi, zunë të sillëshin më
ashpër me Shqiptarët të cilët i shikonin si një popull mysliman fort pak të pregatitur
politikisht, dhe besonin se me ca shtrëngime e mënyra dredhake mund t'i bënin
osmanllinj të bindur - siç thotë Ismail Qemali në Kujtimet e tija - për t'ua treguar si
shembull kombësive të tjera.
Trubullimet filluan përsëri në Kosovë, ku fshatarët nuk donin të paguanin taksat as të
dorëzonin armët, as t'iu shtrohëshin ligjevet të reja. Për të treguar forcën, qeveria e
Stambollit, e cila porsa ishte vendosur pas ngjarjevet të Prillit, i dha urdhër Xhavit
Pashës, kumandarit të divizionit turk në Mitrovicë, që të bënte një shpeditë ushtarake
nëpër Kosovë dhe të ndëshkonte të pabindurit. Xhavit Pasha u nis nga gjysma e Majit
1909, kaloi nëpër qytetet, u suall shumë keq në malësinë e Gjakovës, duke djegur
fshatra, për të çarmatosur vendin dhe për të rekrutuar ushtarë me forcë. Po kur arriti
në Qafën e Morinës, më 12 të Qërshorit, malësorët i kishin zënë pritat edhe i ranë. Pas
luftimesh të rrepta, që vazhduan më se një javë, ushtëria turke u tërhoq në Gjakovë.
Shqetësimet për çështjen e taksavet, të armatimit dhe të shërbimit ushtarak të
detyrshëm, që lidhëshin me programin e Turqvet të Rinj, zunë të ndihëshin edhe në
vilajetin e Shkodrës.

Më 23 Korrik 1909, në përvjetorin e shpalljes së Hyrrijetit, u mbajt në Dibër një


kongres q'e kishin organizuar Turqit e Rinj, me qëllim që të lidhnin pas politikës së
tyre klasën drejtonjëse të vendit dhe të tregonin se Shqiptarë e Turq ishin të bashkuar
si Osmanllinj për mprojtjen e Kushtetutës. Kjo propagandë iu vlente për kombësitë e
tjera të Perandorisë dhe për opinionin evropian. Në këtë rast, duke përfituar nga
fanatizmi i një pjese të klerit mysliman, Turqit e Rinj deshën të futnin abecenë arabe
në shkrimin e gjuhës shqipe, si një çap të parë drejt osmanizimit.

Shumica e kongresistëvet përbëhej prej Shqiptarësh nga veriu e nga juga (përveç
Katolikëvet që nuk pranuan të merrnin pjesë), pastaj u thirrën edhe disa përfaqësonjës
nga kombësitë e ndryshme të Maqedonisë. Agjentët q'e drejtonin punën ishin Turqit
vetë me njerëzit e tyre në Kongres. Por aty kishin ardhur edhe mjaft atdhetarë
shqiptarë, të cilët e kundërshtuan programin e pregatitur që Turqit deshën
t'impononin, sidomos mbajtjen e Shqiptarëvet për Osmanllinj. Atdhetarët kërkuan
reforma n'arësim, hapjen e shkollave fillore e të mesme në gjuhën shqipe, ndërtimin e
rrugëve dhe ndërmarrje të tjera në lidhje me zhvillimin e vendit. Pas bisedimesh të
nxehta, u formua një komitet për të vendosur mbi programin. Por Turqit ia arritën
pjesërisht qëllimit, sepse, ndonëse kongresi pranoi çeljen e shkollave fillore e të
mesme shqipe dhe futjen e mësimit të shqipes në shkollat turqishte, çështja e abecesë,
arabe apo latine, mbeti që të zgjidhej prej çdo krahine sipas dëshirës së popullit të saj.
Ky ishte jo vetëm një prapakthim në punën e bërë gjer atëhere për njësimin e gjuhës,
të kulturës dhe të kombësisë shqiptare, po edhe një shkak i përhershëm grindjesh e
ndasish midis krahinash, sepse nuk mund të qëndronin bashkë dy lloje shkollash, dy
lloje botimesh me shkronja aq të ndrysme siç janë abecetë arabe e latine. Prandaj ky
vendim, që ishte absurd në vetvehte, iu shërbente Turqvet të Rinj për të mbjellë farën
e përçarjes, për t'organizuar demostrata, për të ndarë krahinat nga njëra tjetra,
Myslimanët prej të Krishterëvet, dhe për t'i hedhur nëpër këmbë pengesën më të
madhe bashkimit kombëtar.
Ndërkaq, në Kosovë, në rrethet e Pejës, të Ferizajt, të Prizrendit, e sidomos në Lumë,
vazhdonin kundërshtimet për taksat dhe shërbimin ushtarak të detyrshëm. Në Shtator
1909, Xhavit Pasha provoi të shtronte malësinë e Lumës duke djegur fshatra gjatë
rrugës, por ndeshi në një qëndresë të fortë dhe u shtrëngua të këthehej prapë në
Prizrend. Lëvizja mori dukjen e një kryengritjeje në Dibër, ku ishin mbledhur shumë
t'ikur nga Kosova. Ushtëria turke nuk guxoi të vazhdonte ndjekjen.

Qysh përpara Kongresit të Dibrës, q'u organizua prej Turqvet, atdhetarët shqiptarë
kishin caktuar një mbledhje n'Elbasan, për të biseduar sidomos rreth çështjeve
arësimore. Elbasani ishte bërë n'atë kohë një qendër mësimi i gjuhës amtare dhe kishte
katër shkolla shqipe të mbajtura nga klubi i qytetit. Pas vendimevet të Kongresit të
Dibrës dhe demostratavet që po shtyhëshin prej Turqvet të Rinj për të pranuar abecenë
arabe, Kongresi i Elbasanit, që u mblodh më 2 gjer më 9 Shtator 1909, ishte si një
përgjigje e atdhetarëvet kundër ndërhyrjes së huaj. Muarën pjesë 35 përfaqësonjës,
kryetarë ose antarë klubesh, prej Shqipërisë së jugës dhe së Mesmes. Bisedimet u
kufizuan sidomos rreth çështjes s'arësimit shqip dhe së hapjes së shkollavet, por u
rrahën sigurisht edhe probleme të tjerë. U vendos që klubet dhe shoqëritë t'i
shtrohëshin një programi të përbashkët, nën drejtimin e klubit të Manastirit, i cili u
zgjodh përsëri si kryeqendër edhe për dy vjet.

Duhej shtuar numri i shkollavet shqipe si edhe botimi i libravet me abecenë latine,
duke kërkuar nga shkrimtarët që t'i mbahëshin mundësisht dialektit t'Elbasanit, i cili
kuptohej me lehtësi prej Toskëvet dhe Gegëvet. Klubi i Manastirit dhe të tjerët duhej
të bënin ç'ishte e mundur për t'a futur mësimin e shqipes edhe në shkollat e huaja që
ndodhëshin në Shqipëri. Mbasi mungonin mësuësit, Kongresi vendosi çeljen e një
shkolle normale prej gjashtë klasësh, n'Elbasan. Drejtori i parë i saj u emërua Luigj
Gurakuqi. Kongresi vendosi gjithashtu formimin e një shoqërie të quajtur "Përparimi"
me qendrën në Korçë. Ajo do të mblidhte prej klubeve, shoqërive dhe mirëbërësve
ndihmat e duhura për të mbajtur shkollën normale, për të hapur shkolla të tjera dhe për
t'i pajisur me librat e sendet e nevojshme. Atdhetarët e klubevet duhej të bënin çdo
përpjekje për të ngritur lart shkallën e arësimit të popullit duke ndihmuar sidomos
shoqërinë "Përparimi".

Pas përshtypjes së keqe të Kongresit të Dibrës, Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje
të re arësimit kombëtar nga i cili varej edhe bashkimi kombëtar. Shkolla të tjera u
hapën, me abecenë latine, deri në Dibër e në qytetet e Kosovës, në Prizrend, Gjilan,
Mitrovicë e Shkup.

Turqit e Rinj u vunë t'organizonin demostrata me anën e fanatikëvet të klerit


mysliman, si në Manastir, në Shkup e në ca qytete të tjera, për abecenë arabe kundër
shkronjavet latine. Po edhe atdhetarët nuk ndëjtën fjetur. Një demostratë madhështore,
ku merrnin pjesë përmbi 15.000 veta nga qyteti dhe fshatrat, u organizua në Korçë
prej shoqërisë "Përparimi", më 19 Shkurt 1910, kundër futjes s'abecesë Arabe. Hafiz
Ali Korça i bekoi shkronjat shqipe (latine) përpara popullit duke thënë një lutje. Ca
ditë më vonë, një tjetër mbledhje e madhe u bë në Gjirokastër, e kryesuar nga parësia
dhe kleri mysliman, i cili shpalli botërisht se abeceja latine nuk i sillte asnjë dëm fesë,
prandaj duhej mbajtur. Protesta kundër futjes s'abecesë arabe në gjuhën shqipe iu
dërguan kryeministrit dhe ministrit t'Arësimit, në Stamboll, nga klubi i Janinës dhe
prej qyteteve të tjera të Çamërisë. Protesta e klubit të Filatit drejtuar Portës së Lartë
përfundonte me këto fjalë: "Atë gjak që na ka mbetur do t'a derdhim për abecenë
latine". Turqit e Rinj, duke u pështetur në fanatizmin e një pjese të Myslimanëvet,
përdorën të gjitha mënyrat djallëzore për të futur abecenë arabe dhe për të shkaktuar
përleshje ndërmjet Shqiptarëvet. Kryeministri Ibrahim Haki Pasha e shikonte dëshirën
e Shqiptarëvet për abecenë latine si një çap të parë për t'u shkëputur nga Turqia.
Prandaj qeveria turke u përpoq t'a ndalonte me çdo mënyrë.

Kongresi që ishte mbajtur në Manastir për abecenë e shqipes, në Nëntor 1908, kishte
parashikuar një mbledhje të dytë pas dy vjetësh. Ngjarjet e shpejtuan këtë mbledhje
atdhetarësh, e cila u mbajt po në Manastir, në fillim të Prillit 1910. Ky kongres i dytë
çfaqi keqardhjen që çështja e abecesë, e cila iu përkiste vetëm Shqiptarëvet, kishte
marrë një karakter politik dhe shkaktuar ndërhyrjen e qeverisë turke në kundërshtim
me Kushtetutën. Kongresi mori disa masa të reja për t'i dhënë gjallëri punës së
klubevet, arësimit shqip dhe botimit të librave shkollore me abecenë latine (ose
kombëtare, siç quhej atëhere).

Edhe prova e fundit që bënë Turqit me anën e propagandës fetare duke shtytur Sheh-
yl-Islamin t'iu drejtonte një letër-qarkore myftinjve të Shqipërisë, më 5 Prill 1910,
përmbajtja e së cilës ndalonte përdorimin e abecesë latine për gjuhën shqipe - nuk
vlejti.
XXIII
Në fillim, bashkëpunimi i atdhetarëvet shqiptarë me Turqit e Rinj nuk erdhi nga
dëshira e mosshkëputjes prej Turqisë, siç kanë dashur t'a nënkuptojnë disa, por sepse
s'kishin rrugë tjetër: nga jashtë, jo vetëm që s'i përkrahte askush për të fituar
autonominë, po edhe kërcënohëshin vazhdimisht prej fqinjëvet. Përbrenda, nuk ishin
në gjendje të bënin bashkimin e përgjithshëm të forcavet kombëtare, sepse interesat e
veçanta, rrymat e kundërta të krijuara prej shekujvet, mbahëshin më të forta se ndjenja
e bashkimit. Atëhere s'iu mbetej veçse t'a shpresonin autonominë dhe sigurimin e
kombësisë shqiptare në kuadrin e një Perandorie Otomane "të liberalizuar", sipas
demagogjisë së Turqvet të Rinj. Kur e panë se këta kishin ndërruar vetëm qimen por
jo vesin, dhe qëllimi i tyre ishte që t'i turqizonin fare popujt e Perandorisë, Shqiptarët
u hodhën përsëri në kryengritjen me armë. Këtë radhë nuk mbetej më tjetër shpresë.
Kryengritja nisi përsëri në Kosovë, në prendverën e vitit 1910, dhe u përgjithësua në
tërë Shqipërinë. Turqit dërguan ushtëri të rënda dhe provuan t'a shtronin vendin me
zjarr e me hekur. Pas tre vjetësh luftimi e gjakderdhjeje, Porta e Lartë u shtrëngua, në
Gusht 1912, t'iu njihte Shqiptarëvet disa të drejta autonomie. Por krijimi i mundshëm i
një shteti shqiptar i shqetësoi kombet fqinjë të Ballkanit, të cilët, për këtë shkak, i
shpallën luftë Turqisë në Tetor t'atij viti.

Porsa filloi kryengritja e Kosovës, në muajt e prendverës 1910, qeveria turke nisi të
përdorte forcën për të mbyllur shkollat shqipe, klubet e shoqëritë, shtypëshkronjat,
gazetat, duke e hequr mësimin e shqipes edhe prej shkollavet turqishte. Ndjekjet dhe
arrestimet kundër atdhetarëvet filluan menjëherë; disa prej tyre u internuan n'Anadoll.
Këto masa shkaktuan një tronditje të madhe në botën shqiptare; kolonitë e jashtëme
protestuan energjikisht. Shqiptarët myslimanë, në shumicë, u treguan kundër
politikës pan-islamike ose pan-osmane të Turqvet të Rinj. Ata që shihnin më qartë, e
kuptonin se, ashtu si po shkonin punët, nuk ishte e largët dita kur Turqia do të dëbohej
prej Evrope. Shqiptarët myslimanë, po të qëndronin të lidhur pas politikës pan-
islamike të Stambollit, do të shikohëshin si Turq, dhe vendi i tyre do të copëtohej
ndërmjet fqinjëvet. Faik Konitza ua pat kujtuar këtë rrezik Shqiptarëvet që më 1909,
n'artikullin e botuar n'Albania: "Një lajmërim i shkurtër Muhamedanëve". Faiku jepte
edhe ca këshilla se ç'duhej bërë. Mendimi m'i urtë ishte që Shqiptarët muhamedanë të
shkëputëshin prej autoritetit fetar të Sheh-yl-Islamit dhe të formonin një komunitet më
vehte, me një kryesi të zgjedhur nga kleri shqiptar. Feja islame, në Shqipëri, duhej të
pajtohej deri diku me zakonet e vendit, dhe sidomos të përhapte idenë e bashkimit dhe
të vëllazërimit me të Krishterët. Një nga ata që u vunë t'a bënin më me zjarr këtë
propagandë ishte Dervish Hima, duke mbajtur fjalime qytet më qytet kundër
politikës pan-islamike të Turqvet të Rinj. Prandaj këta deshën t'a vrisnin.
Në Nëntor të vitit 1909, parlamenti turk pati votuar dy ligje kundër lëvizjevet
kombëtare. Ligji i parë ishte mbi "bandat e armatosura" ose çetat, dhe parashihte
dënime të rënda jo vetëm për ata që bënin pjesë në to, po edhe për familjet e tyre.
Kryetarët ose organizonjësit e çetavet dënohëshin me vdekje. Kushdo që mbante
armë, dënohej me burgim. Ligji i dytë, megjithëse u kundërshtua nga deputetët jo
turq, ndalonte shoqëritë me karakter kombëtar dhe lejonte vetëm ato që pranonin të
quhëshin "osmane" dhe që merrëshin me çështje arësimore ose ekonomike, pa u
përzjerë në politikë.

Ligji i votuar kundër atyre që mbanin armë i jepte tani qeverisë turke një pështetje
legale për çarmatosjen e Shqiptarëvet, dhe duket se u votua me këtë qëllim.

Siç parashihej, kundërshtimet e Kosovarëvet për pagesën e taksavet dhe për t'iu
nënshtruar politikës përqëndronjëse të Turqvet të Rinj do të shpërthenin në
kryengritje. Në Mars 1910, gjendja u keqësua. Rreth Prishtinës ngjajtën përpjekje me
forcat turke, sepse populli nuk desh të paguante taksën e re mbi mallrat që hynin në
qytet. Një mbledhje e madhe u bë në Gjilan, ku merrnin pjesë me mijëra burra
t'armatosur, për të protestuar kundër ligjevet të reja. Kosovarët e kuptuan se kishin
qënë gënjyer prej Turqvet të Rinj dhe lidhën besën se nuk do t'i lëshonin të drejtat e
tyre që po iu merrëshin nëpër këmbë. Në mbledhje u shquan si drejtonjës Idriz Seferi
dhe Isa Buletini, të cilët muarën edhe kumandën e fuqivet t'armatosura. Trubullimet u
përhapën në tërë Kosovën. Përpjekje të tjera me forcat e pushtetit ngjajtën rreth
Prishtinës dhe n'afërsitë e Pejës.

Qeveria turke, për të shtypur lëvizjen, dërgoi gjeneral Shefqet Turgut Pashën me një
ushtëri prej 16.000 këmbësorësh përveç trupave të kalorësisë dhe t'artilerisë. Fuqi të
tjera u nisën nga Selaniku në drejtim të Kosovës. Ushtëria turke arriti në Shkup nga
gjysma e Prillit dhe u vu në ndjekje të kryengritësvet. Shqiptarët e kumanduar prej
Idriz Seferit zunë Shkallën e Kaçanikut duke prerë hekurudhën që lidhte Shkupin me
Kosovën. Pjesa tjetër, nën kumandën e Isa Buletinit dhe të Hasan Budakovës, zuri
grykën e Cernolevës, Shtimlje e Jezercë, për të prerë rrugën ndërmjet Ferizajt e
Prizrendit. E vendosur t'a shtypte me çdo kusht kryengritjen shqiptare, qeveria e
Stambollit shpejtoi pregatitjen e trupave të tjera. Më 30 të Prillit, ushtëria turke e
sulmoi Shkallën e Kaçanikut nga disa anë të ndryshme duke përdorur zjarrin e dëndur
t'artilerisë. Shqiptarët qëndruan trimërisht duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha.
Shefqet Turgut Pasha dogji e shkretoi fshatrat rreth e qark, ku s'kishin mbetur veçse
gra, pleq e fëmijë. Të rrethuar keq dhe pa artileri, pa mundësi që t'iu vinte ndihmë,
Shqiptarët u shtrënguan t'i lëshonin grykat e Kaçanikut për t'u tërhequr në drejtim të
Gjilanit, duke bërë përpjekje të tjera me Turqit në Preshevë dhe gjatë Moravës.

Grupi i deputetëvet shqiptarë në parlamentin otoman protestoi kundër këtyre masave


barbare dhe kërkoi nga qeveria dërgimin e një komisioni hetimesh në Kosovë, por
kryeministri Ibrahim Haki Pasha nuk desh të dëgjonte për kësi dokrrash: nënshtrimi i
Shqipërisë, mendonte ai, kishte një rëndësi të madhe për sigurimin e pushtetit në tërë
Rumelinë. Në vend që të stepej, qeveria turke dërgoi në Kosovë ministrin e Luftës,
Mahmud Shefqet Pashën, i cili arriti në fillim të Majit me fuqi të reja, që bashkë me të
tjerat kapërcenin numrin 40.000.

Pas pushtimit të Kaçanikut, ushtëria turke sulmoi në tre drejtime grykat e Jezercës,
Shtimljes dhe Cernolevës, duke djegur njëkohësisht fshatrat rreth e rrotull. Shqiptarët
i përballën sulmet gjatë tri ditëve me trimërinë e zakonshme, por më në fund u
shtrënguan të tërhiqëshin. Kështu ushtëria turke e hapi rrugën për në Prizrend. Pastaj u
drejtua për në Gjakovë e Pejë. Një pjesë u nis për të shtruar Lumën por, më parë se t'a
shkelte, u ndesh në një qëndresë të Lumjanëvet rreth Bicajt.

Shefqet Turgut Pasha u ngarkua të zbatonte "ligjin mbi bandat" duke ndjekur e
çarmatosur Shqiptarët, me vrasje e burgim.

Rusia, Austro-Hungaria dhe fuqitë e tjera e pëlqyen rivendosjen e autoritetit turk në


Kosovë, mbasi kryengritja e Shqiptarëvet mund të shkaktonte prishjen e statuo quo-
së në Ballkan. Disa nga ambasadorët e fuqivet të mëdha e dekoruan Shefqet Turgut
Pashën për trimërinë që bëri duke shtruar Shqipërinë. Por Vienës nuk i vinte mirë që
Shqiptarët të çarmatosëshin dhe të shtypëshin fare, sepse atëhere s'do t'iu mbetej forcë
qëndrese kundër Sllavëvet. Ndërsa Serbët e Kosovës, t'urdhëruar nga Belgradi, e
ndihmuan ushtërinë turke si informatorë dhe shërbenjës në ndjekjen e Shqiptarëvet,
sepse shtypja dhe çarmatimi i këtyre do t'ia lehtësonte Serbisë për më vonë pushtimin
e vendit.

Pasi e shtroi dhe e çarmatosi pjesërisht Kosovën dhe pas disa ndeshjeve të tjera me
malësorët e Gashit e të Krasniqit, Shefqet Turgut Pasha iu drejtua Shkodrës. Por e
gjeti rrugën të zënë prej kryengritësve të Shalës, t'udhëhequr nga Mehmet Shpendi,
Prel Tuli dhe Marash Delia, të cilët e detyruan ushtërinë turke të këthehej pas e të
merrte tjetër drejtim, nëpër Pukë e Mirditë, për t'arritur në Shkodër më 26 të Korrikut,
dy javë më vonë nga ç'ishte parashikuar. Shefqet Turgut Pasha nxorri menjëherë
urdhërin për dorëzimin e armëvet, pagesën e taksavet dhe rekrutimin e djemvet prej
18 gjer më 26 vjeç. Njëkohësisht filluan në tërë Shqipërinë arrestimet e atdhetarëvet,
mbyllja e shkollavet shqipe, e klubevet, e gazetavet, e botimevet - siç thamë më sipër.

Mbasi e shtroi vendin gjatë pesë muajve, Shefqet Turgut Pasha u nis prej Shkodre për
në Selanik, duke çarmatosur n'udhëtim edhe Dibrën, nga mbarimi i Gushtit 1910.

Ushtëria turke kaloi si një rrebesh, por gjendja në Shqipëri mbeti e turbullt. Malësia e
Mbishkodrës nuk dëgjoi të paguante taksa, as të dorëzonte armët, as të shërbente
n'ushtëri. Të ndjekur prej fuqivet turke, krerët e Hotit, Grudës, Shkrelit, Kastratit dhe
ata të Shalës e të Shoshit, me njerëzit e tyre, u arratisën në Mal-të-Zi. Aty kishin
ardhur edhe mjaft Kosovarë, Isa Buletini me shokë. Podgorica u mbush me Shqiptarë.
Ndonëse Mali-i-Zi kishte interes që t'i bënte për vehte këta t'ikur e t'i përdorte për
qëllimet e tija, mbajtja e tyre ishte një problem për të. Krajl Nikolla provoi të gjente
një rregullim me përfaqësonjësin diplomatik turk, që t'arratisurit të falëshin e të
këthehëshin nëpër vendet e tyre. Por këta vinin disa kondita, si për shembull, t'iu
këthehëshin armët, t'iu jepej dëmshpërblim për mallin e rrëmbyer e shtëpitë e djegura,
të mos paguanin taksat e reja, shërbimin ushtarak t'a bënin brenda në vilajet, nëpunësit
e administratës t'ishin shqiptarë, t'iu çelëshin shkolla shqipe etj.

Në fillim, përfaqësia turke nuk i pranoi këto kondita. Mbasi numri i t'arratisurvet ishte
i madh, përmbi 2.500 veta, dhe shtohej gjithnjë, Krajl Nikolla kërkoi nga fuqitë e
mëdha që t'i gjenin një zgidhje këtij problemi. Nga ana tjetër mendonte gjithmonë t'i
shkaktonte Turqisë trubullime duke i përdorur Shqiptarët si mbulesë dhe si aliatë të tij,
për të lëshuar mandej prapa tyre trupat malazeze që të pushtonin krahinën e
Mbishkodrës dhe ndoshta një pjesë të Kosovës gjer në Pejë. Por këto plane, përveç që
do të ndeshnin në kundërshtimin e Austrisë, nuk i pëlqente as Rusia, e cila i gjente të
parakohëshme dhe nuk donte hëpërhë trazime në Ballkan.

Më në fund Turqia, e këshilluar prej Austrisë dhe për të mos i lënë Shqiptarët katolikë
të merrnin anën e Malit-të-Zi, i pranoi pjesërisht kërkesat e malësorëvet, të cilët u
kthyen nëpër krahinat e tyre nga fillimi i Dhjetorit 1910. Natyrisht, qeveria turke nuk
do t'ua këthente armët as do t'ua paguante, por iu premtonte dëmshpërblim për
shtëpitë e djegura dhe disa të drejta që nuk u zbatuan, sepse pas disa muajsh plasi
kryengritja në malësinë e Mbishkodrës.

Lufta e Shqiptarëvet më 1910, ndonëse u kufizua pothuajse në vilajetin e Kosovës,


shkaktoi një tronditje në Ballkan dhe tërhoqi vëmendjen e Evropës. Shtypja mizore që
bëri Shefqet Turgut Pasha dhe masat e rrepta të qeverisë turke e acaruan gjendjen
edhe më tepër. Pas mbylljes së shkollavet dhe të klubevet, zunë të vepronin komitetet
e fshehtë, numri i të cilëvet u shtua në tërë Shqipërinë, nga juga në veri e deri në
Kosovë. Kishte mjaft Shqiptarë t'arratisur malevet, gati për të formuar çetat. Në
Dhjetor 1910, lart nga dy mijë burra t'armatosur u mblodhën në Dibër për të kërkuar
me kërcënim çeljen e shkollave shqipe, lënien e lirë të botimevet, faljen e të
dënuarëvet politikë, ndërtimin e rrugëvet, emërimin e Shqiptarëvet si nëpunës
t'administratës etj. Njëkohësisht lëvizja e Maqedonasvet ishte duke u zgjeruar.

E ndodhur përpara këtyre vështirësive dhe sigurisht e këshilluar nga Austria - e cila e
donte rivendosjen e autoritetit otoman, por jo edhe shtypjen e plotë të Shqiptarëvet -
qeveria turke provoi t'a lehtësonte grushtin duke bërë disa lëshime të vogla. Pas
këthimit të t'arratisurvet, caktoi dëmshpërblimin për shtëpitë e djegura, hoqi dorë
përkohësisht nga çarmatimi duke e pezulluar "ligjin mbi bandat", dhe pak më vonë, në
Mars 1911, Ministria e Arësimit lejoi hapjen e shkollavet shqipe dhe përdorimin e
abecesë latine. Në Qërshor t'atij viti, do të vinte në Kosovë Sulltan Mehmet Reshati V
për të nderuar kujtimin e Sulltan Muratit I, por ndoshta edhe për t'afruar Shqiptarët.
Prandaj Turqit deshën t'i zbutnin këta, që t'i bënin Sulltanit një pritje sa më të nxehtë
dhe madhështore.

Mirëpo Shqiptarët kishin të tjera ndjenja dhe nuk besonin më në premtimet e Turqvet.
Komitetet e fshehtë vepronin. Shtypi i kolonivet i përsëriste gjithnjë kërkesat
kombëtare dhe i shtynte atdhetarët për bashkim e organizim. "Komiteti Qendror" i
Arbëreshëvet, n'Itali, dhe qarqet italiane të lëvizjes pro-Albania përpiqëshin të gjenin
mjetet dhe të rekrutonin vullnetarë për t'i ardhur në ndihmë kryengritjes shqiptare me
një shpeditë ushtarake nën kumandën e Ricciotti Garibaldi-t. Në Shqipëri zjente kudo
shpirti luftarak. Për të lëvizur kundër Turqvet, Shqiptarët shtyhëshin edhe nga fqinjët
që donin të trubullonin ujërat, sidomos nga Mali-i-Zi. Pastaj në radhët e Komitetit
Bashkim e Përparim të Turqvet të Rinj kishin filluar grindjet. Të gjitha këto linin të
parashihej një kryengritje e përgjithshme për në prendverën e vitit 1911. Por mjerisht
nuk kishte një udhëheqje, një krye, një bashkim të këtyre forcave nën një kumandë të
vetëme me një plan dhe qëllim të caktuar. Prandaj edhe kjo gjakderdhje do të
përfundonte si të tjerat.

Kryengritjen këtë radhë e nisi Dedë Gjo Luli, në malësinë e Mbishkodrës, duke
sulmuar rojet turke në Rapshë të Hotit e në Troboinë, më 24 Mars 1911. E tërë
malësia u çua në këmbë, Hot, Grudë, Kelmend, Shkrel e Kastrat, afro 4000 burra
t'armatosur, të cilët rrethojnë e marrin Tuzin, zënë Deçiqin, Krevenicën dhe pika të
tjera gjatë kufirit shqiptaro-malazez.

Valiu i Shkodrës, Bedri Pasha, u gjet ngushtë se s'kishte forca të mjaftuarshme për t'iu
bërë ballë kryengritësvet. Prandaj u vu të shfrytëzonte fanatizmin fetar të
Myslimanëvet duke iu thënë se dini ishte në rrezik dhe duke i gënjyer se gjoja të
Krishterët donin të sillnin në Shkodër Malin-e-Zi. Me këto intriga mundi të mblidhte
një turmë Shqiptarësh myslimanë prej Shkodre dhe t'i dërgonte për të luftuar kundër
vëllezërvet të tyre katolikë. Por këta "mprojtës" të dinit u shpartalluan shpejt; disa u
bashkuan me kryengritësit. Për fat të mirë, ky dram i shëmtuar vëllavrasjeje nuk u
përsërit më në Shqipërinë e veriut.

Kryengritja e malësisë së Shkodrës e tronditi qeverinë e Stambollit, e cila nisi përsëri,


Shefqet Turgut Pashën me trupa Anadollakësh, që zbritën në Shëngjin. Ushtëria turke
arrinte numrin 20.000. Lufta në malësi vazhdonte e nxehtë. Djem idealistë prej
Shkodre, si Luigj Gurakuqi, kishin rrokur armët dhe dalë në mal.

Malësorëvet të Shkodrës s'mundi t'iu vinte ndihmë nga krahinat e tjera të Shqipërisë,
sepse kryengritja kishte plasur papritmas, më parë se të bëhej një lidhje e
përgjithshme. Sa për ndihma të jashtëme, s'kishte asnjë shpresë, megjith lëvizjen e
Arbëreshëvet dhe të disa qarqeve italiane që menduan të dërgonin në Shqipëri
vullnetarë nën kumandën e gjeneral Garibaldit. Disa pregatitje u bënë. Por qeveria e
Romës, duke druajtur kundërshtimin dhe ndërhyrjen e Austro-Hungarisë, i ndaloi
pregatitjet, i zuri e i mori armët e gjetura për vullnetarët, dhe s'lejoi të vinte prej Italie
asnjë ndihmë. Roma po gatitej për shpeditën e Tripolit dhe, ndonëse kishte interes që
Turqia t'ishte e kapërthyer në Ballkan, nuk donte t'i hapte rrugën ndërhyrjes s'Austro-
Hungarisë në Shqipëri.

Sadoqë mbetën vetëm, malësorët e Shkodrës iu qëndruan trimërisht sulmevet


t'ushtërisë turke, por s'kishin mjete. Më 11 Maj 1911, Shefqet Turgut Pasha nxori në
Shkodër një shpallje sipas së cilës falëshin kryengritësit që dorëzonin armët brenda
pesë ditëve, përveç krerëvet që do të kalonin në gjyqin ushtarak. Mbledhja e
malësorëvet u përgjigj se ata kishin qënë gënjyer vitin e mëparshëm, sikurse herë të
tjera, dhe tani s'mund t'i lëshonin armët për pa u siguruar se do t'iu njihëshin të drejtat
që caktonte Kushtetuta.

Për t'i dhënë fund kryengritjes, Shefqet Turguti e mori vetë drejtimin e vepërimevet
ushtarake duke e sulmuar nga tri anë vendin ndërmjet Tuzit, Kastratit e Shkrelit,
ndërsa një tjetër fuqi turke prej 5000 vetash, nën kumandën e Et-hem Pashës, u nis
nga Gucija dhe mësyjti Kelmendin. Shtëpi e fshatra digjen flakada, si në vitin e
mëparshëm. Topi rreh e shemb pa ndërprerje. Pas një qëndrese të rreptë, malësorët u
thyen nën peshën e rëndë t'ushtërisë turke dhe shumë prej tyre u arratisën në Mal-të-
Zi. Podgorica u mbush përsëri me shqiptarë.

Mali-i-Zi, që donte luftë për të zgjeruar kufijtë, e pat shtytur dhe përkrahur
kryengritjen e malësorëvet duke iu dhënë këtyre jo vetëm strehë po edhe armë e
municione. Krajl Nikolla mendonte se kjo politikë mund t'i sillte pemë nga të dy anët:
Ose malësorët, të shtypur e të trokosur prej Turqvet, do të pranonin mprojtjen e Malit-
të-Zi duke njohur autoritetin e tij, ose edhe sikur të mos donin t'i shtrohëshin këtij, nuk
do t'iu mbetej asnjë forcë qëndrese kundër ushtërivet malazeze, në çastin e duhur, dhe
vendi i tyre do të pushtohej lehtësisht. Ashtu siç ngjau vërtet pas një viti e gjysëm, në
vjeshtën e 1912-ës.

Rusia, nga një anë e siguronte Turqinë se Mali-i-Zi s'kishte qëllime lufte dhe se masat
ushtarake të tija gjatë kufijvet ishin për vetëmprojtje, nga ana tjetër nuk e shihte me sy
të keq lodrën e Krajl Nikollës me Shqiptarët, të cilët, duke mos pritur gjë prej
Austrisë, po vihëshin në hullinë e një shteti sllav.

Mënyrat e ngadalshme të Vienës po i detyronin Shqiptarët të vështronin nga Italia, ose


të binin në kurthin e Malit-të-Zi. Sidomos këtë radhë ata që po shtypëshin prej
Turqvet ishin Katolikët, të cilët patën pasur deri diku mprojtjen e Austro-Hungarisë.
Kjo e bëri Vienën të merrte mundimin e t'a hapte gojën për të kërkuar nga Turqia që
t'iu jepej fund trazimevet në Shqipëri. Porsa shtypi austriak e shprehu këtë dëshirë më
8 Qërshor 1911, shtypi turk iu përgjigj menjëherë më 12 të Qërshorit duke botuar
shpalljen e qeverisë, në të cilën thuhej se Shqiptarët ishin shtruar dhe se, me rastin e
udhëtimit në Kosovë, Sulltan Reshati V do të bënte një falje të përgjithshme për
kryengritësit.

Sulltani arriti në Prishtinë më 16 Qërshor, i shoqëruar nga kryeministri e një rreth


personalitetesh. Aty nxori menjëherë faljen për Kosovarët e kryengritjes së vitit të
mëparshëm. Pas dy ditësh, Shefqet Turgut Pasha, n'emër të Sulltanit, shpalli në
Shkodër dekretin e faljes së përgjithshme për kryengritësit. Këta do të merrnin edhe
një dëmshpërblim për mallin e prishur dhe shtëpitë e djegura, nëqoftëse do të
këthehëshin brenda dhjetë ditëve e të dorëzonin armët.

Pritja që iu bë Sulltanit në Kosovë (ndonëse kjo krahinë shikohej si një qendër


myslimanizmi) ishte shumë e ftohët, për të mos thënë armiqësore. Disa qytete, si
Prizrendi, Gjakova, Peja e të tjerë, nuk dërguan njeri fare. Dekreti i faljes, që u
nënshkrua prej tij pas ca ditësh, nuk i kënaqi kryengritësit, të cilët kërkonin të tjera
sigurime.

N'atë kohë kishte ardhur Ismail Qemali në Mal-të-Zi për t'u pjekur me Shqiptarët e
arratisur. Ai mblodhi krerët e malësorëvet në një kuvend të përgjithshëm në katundin
Gërçe, afër Triepshit, më 23 Qërshor 1911, dhe, bashkë me Luigj Gurakuqin e të tjerë,
pregatiti një memorandum me dymbëdhjetë kërkesa për t'ia paraqitur qeverisë turke si
përgjigje shpalljes së Shefqet Turgut Pashës. Ky dokument, i cili u quajt "Libri i Kuq"
prej ngjyrës së kapakëvet, u nënshkrua nga të gjithë krerët e malësorëvet.

Kërkesat kishin një karakter të përgjithshëm kombëtar. Memorandumi protestonte


kundër mënyravet tiranike të regjimit të Turqvet të Rinj, duke përmendur djegiet e
rrënimet që kishin filluar me Xhavit Pashën dhe vazhduar me Shefqet Turgutin në
Kosovë e në Shqipërinë e veriut. Pastaj kërkonte jo vetëm çeljen e shkollave shqipe
dhe përdorimin e shqipes n'administratë krahas turqishtes, por njohjen e kombësisë
shqiptare me të drejtat e saja, nderimin e të gjitha fevet, dokevet, zakonevet, liri të
plotë për zgjedhjen e deputetëvet, për zhvillimin e arësimit në gjuhën amtare, dhe
garanti kundrejt shpërdorimevet ose vepërimevet anti-kushtetonjëse. Vilajetet që
banohëshin prej Shqiptarëvet duhej t'organizohëshin në bazë të një shpërqëndrimi
administrativ, ku forcat e gjindarmërisë, të policisë dhe gjithë nëpunësit t'ishin
shqiptarë; vetem valinjtë e drejtonjësit e lartë mund të vinin prej Perandorisë, por
duhej t'ishin nga më të mirët, dhe mundësisht të njihnin gjuhën e zakonet e vendit.
Sulltani do t'emëronte një përfaqësonjës të tij si inspektor të përgjithshëm për të
mbikqyrur administratën. Shërbimi ushtarak do t'ishte i detyrshëm për të gjithë
Shqiptarët dhe, në kohë paqeje, do të kryhej në Shqipëri. Kurse në krahinat kufitare
me shtetet fqinjë do të kishte një organizim ushtarak të veçantë, dhe Shqiptarët e atyre
viseve duhej të shërbenin në vend për të ruajtur kufijtë. Taksa e t'ardhura do të
shpenxohëshin në pjesën më të madhe për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të
Shqipërisë.

Shihet se memorandumi i Gërçes nuk kërkonte bashkimin e të gjitha tokavet shqiptare


në një vilajet të vetëm, domethënë formimin e një shteti shqiptar autonom në kuadrin
e Perandorisë, siç kishte qënë programi i Lidhjes së Prizrendit, i përpunuar nga Abdyl
Frashëri, dhe ideja e Rilindasvet. Prandaj, theorikisht, nuk shënon përparim, por një
çap mbrapa në vijën e mendimit politik shqiptar. Mirëpo nga ana tjetër kërkesat e tija
përbënin një bazë praktike të shëndoshë për t'arritur tek autonomia, të cilën Shqiptarët
nuk ishin në gjendje t'a merrnin vetë menjëherë dhe askush nuk i përkrahte n'atë kohë
për t'a fituar. Prandaj mund të themi se kërkesat e "Librit të Kuq" ishin programi
kombëtar m'i arësyeshëm që mund t'i paraqitej qeverisë turke n'ato rrethana. Nën
drejtimin e Ismail Qemalit dhe të Luigj Gurakuqit, malësorët e Shkodrës luftën e tyre,
kërkesat e tyre, i vunë në planin kombëtar dhe jo për të drejta krahinore, mbajtje
armësh a mos-pagim taksash, siç kishte qënë zakoni deri atëhere.

Siç do t'a shohim, programi i Gërçes u pranua në jugë dhe në tërë Shqipërinë. Rreth tij
u përqëndruan kërkesat shqiptare deri në plasjen e Luftës ballkanike.

Mbasi Turqia s'jepte asgjë me vetëdashje, ndonjë ndërmjetësim i jashtëm ishte fort i
nevojshëm. Komiteti i Shqiptarëvet në Podgoricë gjeti mënyrën t'i drejtohej qeverisë
britanike për të kërkuar përkrahjen e saj pranë fuqivet të mëdha, që këto t'a detyronin
Turqinë t'i njihte popullit shqiptar të drejtat e shprehura në memorandumin. Ministri
britanik i Punëve të Jashtëme, Sir Edward Grey, e mori parasysh këtë lutje dhe iu
propozoi fuqivet të mëdha që t'i bënin një thirrje Turqisë të kënaqte kërkesat e
Shqiptarëvet, për t'i dhënë fund sa më shpejt kryengritjes së tyre, e cila mund të sillte
ndërlikime të këqia, po të zgjatej. E para që e kundërshtoi propozimin britanik ishte
Gjermania, duke e quajtur si një ndërhyrje në punët e brendëshme të Turqisë. Pastaj e
kundërshtuan edhe fuqi të tjera. Rolin më të dobët kundrejt Shqipërisë e loste Austria,
e cila as ishte e zonja t'i siguronte asaj autonominë, as lejonte përzjerjen e ndonjë
fuqie tjetër në çështjen shqiptare. Donte që atë vend t'a kishte si një rezervë për vehte,
kur t'i vinte koha.

Krajl Nikolla, porsa mori vesh se Shqiptarët, në mbledhjen e Gërçes, caktuan vijat e
një programi kombëtar dhe se kërkesat e tyre ua paraqitën fuqivet të mëdha, ndryshoi
qëndrim kundrejt malësorëvet mbasi tani s'mund t'i kishte si një vegël në duart e tija.
Nga ana tjetër, Rusia me Austrinë, të cilat nuk donin trazime në Ballkan, po shtynin
Turqinë dhe Malin-e-Zi që t'i rregullonin çështjet e varura midis tyre si edhe
problemin e Shqiptarëvet t'arratisur. Marrëveshja turko-malazeze u arrit më 28 Korrik;
Krajl Nikolla ua preu ndihmën malësorëvet duke i shtrënguar që të pranonin konditat
e faljes dhe të këthehëshin nëpër viset e tyre.

Gjatë Korrikut, qeveria turke e kishte larguar prej Shqipërie Shefqet Turgutin, i cili
urrehej, dhe në vend të tij dërgoi Abdullah Pashën me disa propozime, që s'kishin të
bënin me kërkesat e Gërçes, por vetëm me malësorët katolikë të Shkodrës. Të
shtrënguar edhe prej Malit-të-Zi, Shqiptarët e arratisur u detyruan t'i pranonin konditat
e qeverisë turke, më 3 Gusht 1911, dhe të këthehëshin nëpër vendet e tyre.

Kur zjente kryengritja në veri, u bënë përpjekje në jugë për një organizim të
përgjithshëm, por mjerisht ndarjet shoqërore e gjeografike ishin akoma të mëdha, nuk
kishte ndërgjegje disipline e përputhje mendimesh. Dëshira ishte që lidhjet dhe
bashkëvepërimi ndërmjet jugës dhe veriut të bëhëshin sa më të ngushtë. Por mungonte
udhëheqja; nuk kishte një figurë as një komitet qendror të zotët për t'organizuar e
kumanduar gjithë lëvizjen. Vullneti i luftës çfaqej kudo, me trima të gatishëm për të
rrokur armët. Po kush do t'i lidhte në një vepërim të përbashkët e kush do t'i udhëhiqte
sipas një plani të përcaktuar?

Komiteti i fshehtë i Manastirit pat dashur të shtynte organizimin e çetavet duke


ngarkuar, në Dibër, në Prespë, n'Elbasan e gjetkë, disa atdhetarë që mund t'i formonin
dhe t'i mbanin me mjetet e tyre. Krijimi i çetavet u bë si një program për komitetet e
fshehtë në të gjitha qëndrat, në jugë, në veri, në Kosovë. Ndonëse kjo mënyrë luftimi
ishte m'e përshtatshmja për të goditur e lëkundur kudo forcat turke, kishte nevojë për
një krye, për një qendër drejtonjëse që t'i lidhte të gjitha vepërimet në një plan të
përbashkët.

Me këtë qëllim u formua në jugë një organizatë e fshehtë, e quajtur "Shoqëria e Zezë
për Shpëtim", e cila desh të merrte drejtimin e lëvizjes, dhe krijoi disa degë aty-këtu,
por nuk arriti dot t'a bashkonte as t'a kumandonte vepërimin e shpërndarë të çetavet.
Këto dhe komitetet e fshehtë vepronin sipas gjykimit të tyre dhe rrethanavet
krahinore. Për shembull, më 15 Maj 1911, Komiteti i Vlorës iu bëri thirrje
Shqiptarëvet që t'ishin gati për një kryengritje të përgjithshme, dhe kërkoi nga qeveria
e Stambollit autonominë administrative të Shqipërisë, domethënë bashkimin e të katër
vilajetevet (Shkodër, Kosovë, Manastir e Janinë) në një tërësi të qeverisur prej
Shqiptarëvet, me parlament e ushtëri më vehte. Më 17 Korrik, çetat e Vlorës vendosën
të sulmonin qytetin, por ky vepërim nuk u krye dot. Kurse më 31 t'atij muaji, në një
mbledhje të çetavet dhe të parësisë tek Ura e Drashovicës, u vendos të pranohej
programi i memorandumit të Gërçes dhe të luftohej për zbatimin e tij. Ky vendim iu
njoftua edhe përfaqësivet të huaja në Vlorë.

Turqit nuk donin që të shpërthente një kryengritje e përgjithshme në jugë, pas


tronditjes që patën në veri. Prandaj, megjithëse kishin grumbulluar fuqi të shumëta,
nuk po bënin ndjekje dhe linin të kuptohej nëpërrnjet t'agjentëvet të tyre se mund t'i
dëgjonin kërkesat e Shqiptarëvet për reforma. Disa nga krerët e lëkundshëm të
lëvizjes, të cilëvet s'para iu pëlqente lufta, menduan se me ca mbledhje e demostrata
mund t'a detyronin qeverinë e Stambollit që t'iu njihte të drejtat Shqiptarëvet. Me këtë
ide, komiteti i fshehtë i Janinës iu kishte dhënë udhëzime qytetevet të vilajetit që të
bënin një tregim force me anë mbledhjesh t'armatosura, duke ngritur zërin për
autonominë e Shqipërisë, më 23 Korrik 1911, ditën e përvjetorit të revolucionit të
Turqvet të Rinj. Por n'atë kohë u muarën vesh propozimet e reja që po iu bënte
qeveria turke malësorëvet të Mbishkodrës t'arratisur në Podgoricë. Kjo gjë i shqetësoi
Shqiptarët e jugës, të cilët nuk donin që të kishte dallime krahinore e mënyra të
ndryshme n'administrimin e Shqipërisë, sepse atëhere do të ndahej vendi edhe më
tepër. Prandaj, pa pritur datën e caktuar, një grumbull i madh burrash t'armatosur u
mblodh më 21 të Korrikut në manastirin e Cepos, afër Gjirokastrës, dhe, duke
theksuar dëmin që i sillte njësisë kombëtare krijimi i një administrate të veçantë për
malësinë e Shkodrës, kërkoi që të kishte një mënyrë të vetëme qeverimi për tërë
Shqipërinë, në veri e në jugë, sepse kombi shqiptar ishte i pandarë.

Mospranimi i kërkesavet të memorandumit të Gërçes nga ana e Turqvet i dha shtytje,


në jugë, Lëvizjes s'armatosur të çetavet. Në qarkun e Korçës dhe në rrethin e
Follorinës shquhëshin çetat e Qamil Panaritit dhe ajo e Spiro Ballkamenit, të cilat
bënë përpjekje me forcat turke. Në Çamëri vepronte çeta e Musa Demit. Të tjera
kishte në Kurvelesh dhe në qarkun e Gjirokastrës. Çetat përbëhëshin zakonisht prej
atdhetarësh idealistë, myslimanë e orthodoks, që luftonin së bashku për lirinë e
Shqipërisë. Populli i priste kudo me krahë hapët. Teqetë e Bektashinjvet ishin një
strehë për to.

Mbasi e qetësoi gjendjen në veri, qeveria turke desh të paqësonte vilajetin e Janinës,
duke nxjerrë një falje për ata çetarë ose t'arratisur që do të këthehëshin nëpër shtëpitë
e tyre dhe duke premtuar se disa nga kërkesat e Shqiptarëvet do të merrëshin
parasysh, sidomos çështja e shkollavet dhe e abecesë kombëtare. Për të biseduar mbi
këto propozime, agjentët turq thirrën krerët e Shqipërisë së jugës në një mbledhje, në
Tepelenë, më 18 Gusht 1911. Premtimet ishin pak më të gjera nga ato që iu qenë bërë
malësorëvet të Mbishkodrës, sepse parashikohej një falje e përgjithshme, hapja e
shkollave shqipe me ndihmën financiare të shtetit dhe mësimi i shqipes në shkollat
turqishte. Taksat do të caktohëshin sipas gjendjes së popullit, shërbimi ushtarak do të
kryhej në vilajetet shqiptare, nëpunësit e administratës duhej të dinin gjuhën dhe
zakonet e vendit, armët mund të mbahëshin me lejë. Këto premtime ishin shumë larg
nga kërkesat shqiptare të paraqitura në memorandumin e Gërçes, por pjesa e njerëzve
të lëkundshëm i gjeti të kënaqshme.

Ndonëse kryengritja e vitit 1911 nuk u përgjithësua dot, ajo shënon një çap të
rëndësishëm në luftën e pavarësisë, sepse i dha shtytje lëvizjes s'armatosur dhe
vetëdijës kombëtare, lidhi në një program të përbashkët veri e jugë, e detyroi qeverinë
turke të hynte në bisedime me Shqiptarët dhe ia bëri të njohura Evropës kërkesat e
këtyre.

Më 29 Shtator 1911, Italia i shpalli luftë Turqisë. Regjimi i Turqvet të Rinj kalonte një
periudhë të vështirë. Mosmarrëveshjet e brendëshme që zjenin në Komitetin
"Bashkim e Përparim" u acarruan. Për të qetësuar Shqiptarët, qeveria e Stambollit u
vu të zbatonte pjesërisht disa nga premtimet e dhëna: liroi ca atdhetarë nga burgjet, në
Korçë e gjetkë, por nuk bëri falje të përgjithshme. Sa për n'arësim, nisi të fuste
mësimin e shqipes në shkollat turqishte, pa hequr dorë nga politika
e osmanizimit. Valiu i Shkodrës nuk i zbatoi të gjitha konditat e marrëveshjes me
malësorët e veriut.

Përpjekjet e Turqvet për t'i përdorur Shqiptarët në luftën kundër Italisë nuk zunë vend:
jo vetëm nuk rekrutuan dot fuqi të reja, po edhe disa nga repartet që ndodhëshin nën
armë fillluan të çthurëshin.

Shqetësimi i Shqiptarëvet për fatin e atdheut u shtua nga frika se mos shtetet e
Ballkanit, duke parë që Turqia po merrte të tatëpjetën, i shpallnin luftë kësaj dhe
pushtonin tokat shqiptare. Filloi të ndihej rreziku i copëtimit të vendit. Ismail Qemali,
Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e të tjerë vazhduan përpjekjet për bashkimin e
rrymavet kombëtare, brenda e jashtë atdheut, e për të krijuar mundësisht një qendër
drejtonjëse. Nga ana tjetër, grupi i deputetëvet shqiptarë në Stamboll, gjatë muajit të
Dhjetorit 1911, i paraqiti qeverisë turke një memorandum duke i kërkuar zbatimin e
reformavet për Shqipërinë edhe e shtroi çështjen për bisedim në parlament, ku jehuan
fjalët e nxehta të Hasan Prishtinës. Por qeveria nuk desh të dëgjonte. Atë Nëntor, nga
deputetët e pakënaqur të popullsivet jo-turke dhe nga disa kundërshtarë të Turqvet të
Rinj ishte formuar një parti opozite e quajtur "Liri dhe Marrëveshje" (Hurriyet ve
Itilaf), e cila kishte në program shpërqëndrimin administrativ dhe njohjen e të
drejtavet kushtetonjëse kombësive të ndryshme të Perandorisë. Përfaqësonjësit
shqiptarë u bashkuan me këtë parti, e cila u bë një opozitë e fortë, aq sa Turqit e Rinj
u shtrënguan t'a shpërndanin parlamentin, më 18 Jenar 1912, duke shpresuar se me
ndërhyrjet e tyre do të siguronin shumicën në zgjedhjet e ardhshme.

Nga mbarimi i Dhjetorit 1911, me thirrjen dhe nën kryesinë e Ismail Qemalit, disa
krerë politikë shqiptarë në Stamboll ishin mbledhur për të biseduar rreth gjendjes dhe
punëvet të Shqipërisë. Mbasi me anë kërkesash nuk mund të shkëputej asgjë prej
qeverisë turke, mbledhja vendosi të pregatiste një kryengritje të përgjithshme, e cila
do të fillonte në Kosovë. Hasan Prishtina u ngarkua me organizimin e saj, kurse Ismail
Qemali merrte përsipër të gjente 15.000 pushkë dhe mjete financiare (nga ndonjë fuqi
e jashtëme).
Pas shpërndarjes së parlamentit, fushata për zgjedhjet e reja u nis e ashpër, sidomos në
Shqipëri. Turqit përdorën të gjitha mjetet dhe muarën të gjitha masat që të mos
zgjidhëshin kundërshtarët e tyre. Gjatë kësaj kohe, qeveria e Stambollit dërgoi në
Shqipëri një u "komision reformash" të kryesuar nga ministri i Punëve të Brendëshme,
Haxhi Adil Beu, gjoja për të bërë hetime mbi nevojat e vendit dhe për të plotësuar
kërkesat e Shqiptarëvet, veçanërisht n'anën arësimore, nëqoftëse këta do të
bashkëpunonin me Turqit e Rinj. Kurse qëllimi i vërtetë i ardhjes së ministrit, i cili
vizitoi qytetet kryesore të vilajetevet të Shqipërisë, ku u prit shumë ftohët, ishte për të
forcuar gjindarmërinë dhe administratën turke, si edhe për të ndikuar në kohën e
zgjedhjevet. Që të tregonte se gjoja diç po bënte n'interes të vendit, ai urdhëroi hapjen
e disa shkollave, një prej tyre edhe Normalja e Elbasanit. Mori shënim gjithashtu për
ndërtimin e disa rrugëve ushtarake.

Ndërkaq, propaganda e zgjedhjevet valonte e nxehtë. Shtypi i mërgimit, përjashta, dhe


Shqiptarët, përbrenda, u përpoqën sa mundën për të nxjerrë deputetë disa atdhetarë të
shquar, si Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën e të tjerë, por Turqit e Rinj ua mbyllën
rrugën. Parlamenti i "rizgjedhur", i cili u mlodh më 18 Prill 1912, përbëhej pothuajse i
tërë nga besnikët e regjimit. Tani s'kishte mbetur asnjë mundësi marrëveshjeje
ndërmjet Shqiptarëvet dhe Turqvet.

Ismail Qemali ishte nisur për n'Evropë dhe Hasan Prishtina për në Kosovë, me qëllim
që të pregatitnin kryengritjen. I tërë vendi, në veri e në jugë, mund të çohej në këmbë,
por mbetej gjithmonë problemi i pazgidhshëm: bashkimi i forcavet dhe drejtimi i tyre
nën një kumandë të vetëme. Hasan Prishtina iu propozoi edhe Maqedonasvet që të
ngrihëshin njëherësh me Shqiptarët dhe të luftonin së bashku për të formuar një shtet
autonom shqiptaro-maqedonas. Por Bullgaria n'atë kohë kishte të tjera plane dhe ua
ndaloi Maqedonasvet marrëveshjen me Shqiptarët.

Lufta italo-turke dhe zgjerimi i lëvizjes shqiptare i nxitën shtetet e Ballkanit që të


pregatitëshin për zhvillimin e mëtejshem të ngjarjevet. Ideja e krijimit të një Shqipërie
autonome ose të pavarur nuk pajtohej me qëllimet e Serbisë, të Bullgarisë, të Greqisë
dhe të Malit-të-Zi, që prisnin t'i jepnin grushtin e fundit Turqisë për të ndarë
trashëgimin e saj në Ballkan. Ashtu si po shkonin punët, mund të ngjanin gjëra të
papritura: s'ishte çudi që Turqia t'iu njihte autonominë Shqiptarëvet, ose Austro-
Hungaria mund të ndërhynte për të pushtuar sanxhakun e Novi-Pazarit dhe për të
krijuar, nën mprojtjen e saj, një Shqipëri autonome, e cila do t'i hapte rrugën e dajles
në Selanik. Prandaj shtetet e Ballkanit, me gjithë kundërshtimet që kishin midis tyre,
shpejtuan të merrëshin vesh për një vepërim të përbashkët kundër Turqisë.

E keqja për Shqipërinë ishte se kjo nuk njihej akoma zyrtarisht as si njësi gjeografike
as si kombësi. Austro-Hungaria që kishte interes t'a përkrahte, nuk e ndjente vehten
mjaft të fortë kundrejt Rusisë dhe shtetevet të Ballkanit, nga njëra anë, rivalitetit me
Italinë nga ana tjetër. Prandaj politika e Vienës kufizohej në mbajtjen e statu quo-
së në Ballkan e në Shqipëri, në frenimin e konfliktevet, në dhënien e ndonjë ndihme
për zhvillimin e arësimit kombëtar të Shqiptarëvet (duke e këshilluar fshehtazi
qeverinë turke që të mos i shtypte fort këta), por nuk e përkrahte kryengritjen e tyre, e
cila mund të shkaktonte koklavitje të tjera. Austria i këshillonte Shqiptarët që të mos
ndahëshin nga Perandoria Otomane, ku ishin më të sigurtë, dhe mendonte se kombi
shqiptar ishte akoma i përçarë e i papregatitur për autonominë. Italia, nga ana tjetër,
nuk guxonte të ndërhynte në Shqipëri, ku gjente kundërshtimin e Austro-Hungarisë.
Këtij vepërimi iu ruajt edhe pasi i shpalli luftë Turqisë. Në bisedimet e fshehta me
Italinë, Viena e kishte kundërshtuar çdo ndërhyrje ushtarake në Shqipëri nga ana e
këtyre dy fuqive, edhe sikur Shqiptarët të bënin kryengritje të përgjithshme. Në rast se
lëvizja e Shqiptarëvet do të sillte ndërlikime më të gjera, Austria me Italinë dhe me
fuqitë e tjera të mëdha do të përpiqëshin për të frenuar konfliktet dhe për të vazhduar
mbajtjen e statu quo-së në Ballkan. Këtë politikë Austro-Hungaria e vazhdoi deri në
fund, me qëllim që të ndalonte shpërthimin e Luftës ballkanike.

Kundrejt kësaj politike të butë t'Austrisë, po shtohej dinamizmi i shtetevet të


Ballkanit, që përkrahëshin nga Rusia. Lufta italo-turke dhe kriza që po kalonte regjimi
i Turqvet të Rinj, kryengritjet në Shqipëri e në Maqedoni e tregonin haptazi se gjendja
në Ballkan nuk mund të qëndronte ashtu siç ishte dhe siç donte t'a mbante Austria me
kleçka. Perandoria Otomane ndodhej në buzë të greminës. Shtetet e Ballkanit, nën
drejtimin e Rusisë, po gatitëshin për t'i dhënë të shtymen e fundit. Shqipëria ishte në
rrezik që të copëtohej ndërmjet fqinjëvet. Rusia filloi më parë t'afronte Bullgarinë me
Serbinë për të formuar boshtin e fuqisë sllave në Ballkan, si një pengesë për t'i prerë
udhën shtrirjes s'Austro-Hungarisë drejt detit Egje dhe ndikimit të Gjermanisë në
Lindjen e Afërme. Rreth boshtit bullgaro-serb mund të rreshtohëshin Mali-i-Zi dhe
popullsia maqedonase duke formuar kështu një grup të shëndoshë Sllavësh nën
drejtimin e Rusisë, e cila në këtë mënyrë delte mbizotëronjëse në gadishullin
ballkanik.

Që në Tetor 1911, pas shpalljes së luftës italo-turke, kryeministri i Bullgarisë dhe ai i


Serbisë u takuan për të caktuar zonat e zgjerimit t'ardhshëm të shtetevet të tyre. Serbia
kërkonte Kosovën dhe Shqipërinë e veriut për të dalë n'Adriatik, që kështu t'i priste
rrugën Austro-Hungarisë. Për të siguruar aliancën me Bullgarinë, ajo i njihte kësaj,
përvec vilajetit t'Adrianopojës, një pjesë të mirë të Maqedonisë. Kryeministri serb
druante rrezikun e krijimit të një shteti shqiptar me përkrahjen e Austro-Hungarisë,
megjithëse Shqiptarët, sipas atij, nuk ishin të zotët për të formuar një shtet. Sidoqoftë,
kur Serbia të merrte Shqipërinë e veriut, ajo e jugës do të pushtohej prej Greqisë. Këto
bisedime zgjatën disa muaj, sepse interesat e Sofjes e të Belgradit kundërshtohëshin
përsa i përkiste ndarjes së tokavet në vilajetet e Kosovës e të Manastirit. Por, me
këshillat e Rusisë, marrëveshja bullgaro-serbe u arrit dhe u nënshkrua më 13 Mars
1912. Parashikohej që të merrte pjesë edhe Mali-i-Zi n'atë lidhje.

Traktati bullgaro-serb përmbante një shtojcë të fshehtë ku caktohej ndarja e tokave


shqiptare, megjithëse fjala Shqipëri nuk përmendej. Serbia do të merrte krahinat në
veri dhe në perëndim të maleve të Sharit, domethënë Kosovën, Metohinë dhe
Shqipërinë e veriut; kurse Bullgaria do të pushtonte tokat në lindje të maleve të
Rodopit dhe të lumit Struma. Vendi ndërmjet maleve të Sharit, lumit Struma dhe
liqenit t'Ohrit (me qytetet Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova,
Përlepi, Manastiri, Ohri etj.) u shikua si një zonë ku përpiqëshin interesat e të dy
palëve, prandaj mbetej për t'u caktuar më vonë ndarja e saj, ose mund të përbënte një
krahinë autonome. Nëqoftëse Bullgaria me Serbinë nuk do të binin dot n'ujdi, puna e
rregullimit të kësaj zone do t'i lihej në dorë Carit të Rusisë.

Pothuajse njëkohësisht me marrëveshjen bullgaro-serbe u zhvilluan bisedimet


ndërmjet Bullgarisë dhe Greqisë, të cilat përfunduan me nënshkrimin e një traktati, më
29 Maj 1912. Këtu nuk flitej për ndarje tokash, por të dy shtetet lidhëshin për të
ndihmuar njëri-tjetrin në rast se do të sulmohëshin prej Turqisë.

Ndërsa fqinjët e Shqipërisë po gatitëshin për një vepërim të përbashkët kundër


Perandorisë Otomane dhe bënin planet për copëtimin e tokavet shqiptare, kombi i ynë
ndodhej i ndarë e i thërrmuar si gjithmonë, pa lidhje të brendëshme administrative, pa
një qendër, pa një drejtim. Disa nga udhëheqësit e tij kishin vendosur që të bëhej një
kryengritje e përgjithshme për të shkëputur autonominë prej qeverisë turke. Gjatë
"zgjedhjevet" parlamentare, të cilat shkaktuan aty-këtu përfytje të nxehta, u kuptua se
s'kishte mbetur asnjë tjetër mënyrë marrëveshjeje me Turqit.

Sipas planit që kishte bërë Komiteti Shqiptar i Stambollit, kryengritja do të fillonte në


Kosovë. Por populli ishte i gatishëm kudo, në veri e në jugë. Me fjalën e Ismail
Qemalit, organizimi i kryengritjes kishte shtrirë degë në Shqipërinë e Mesme: Krujë,
Durrës, Tiranë, Elbasan, dhe në jugë: Vlorë, Berat, Korçë, Gjirokastër e gjer në
Janinë. Kurse Luigj Gurakuqi vepronte në qarkun e Shkodrës. Lëvizja kishte nisur në
malësinë e Gjakovës që në Prill dhe, nga fillimi i Majit, ishte përhapur në rrethet e
Pejës, pastaj në Nikaj e Mertur, në Mirditë e në Zadrimë. Malësorët e Dibrës, të Matit,
të Kthellës, si edhe ata të Leshit e të Bregut-të-Matit lidhën besën për t'iu prerë udhën
ushtërivet turke. Në pjesën më të madhe të vendit ndihej nevoja e shkëputjes prej
Turqisë.

Por këto forca duhëshin lidhur e bashkërenditur në një plan. Siç e pamë më sipër, me
organizimin e kryengritjes në Kosovë ishte ngarkuar Hasan Prishtina. N'atë kohë po
shquhej edhe figura e fortë e Bajram Currit. Këta të dy thirrën krerët e vilajetit të
Kosovës në një mbledhje në katundin Junik, afër Gjakovës, më 20 Maj 1912.
Ndërmjet të tjerëve, merrnin pjesë Nexhip Draga, Isa Buletini dhe kapedanët e
kryengritjeve të mëparshme. N'atë kuvend, që vazhdoi disa ditë, u lidh besa për t'i
bërë luftë qeverisë turke deri në shkëputjen e autonomisë, programi i së cilës
parashihte: caktimin e kufijvet të Shqipërisë dhe bashkimin e saj në një vilajet të
vetëm me një qeveritar në krye, administratën me nëpunës shqiptarë dhe me shqipen
si gjuhë zyrtare, arësimin shqip me abecenë kombëtare (latine), njohjen e kombësisë
shqiptare dhe kryerjen e shërbimit ushtarak n'atdhe. Ky program, i cili kërkonte
bashkimin e Shqipërisë në një tërësi të vetëme, e kapërcente atë të memorandumit të
Gërçes, por duket se nuk u pranua nga e tërë mbledhja ku merrnin pjesë edhe njerëz
me ndjenja turkomane. Megjithatë, shumica e popullit mori anën e atdhetarëvet, afro
3000 burra u mblodhën nën urdhërat e Bajram Currit dhe të Hasan Prishtinës;
vepërimi i tyre nisi në Rrafshin e Dukagjinit me qëllim që të shtinin në dorë Pejë e
Gjakovë. Kumandari turk i Shkupit, gjeneral Fadil Pasha, u nis vetë për të shtruar
kryengritjen, arriti në Gjakovë dhe, pas një përpjekjeje t'ashpër që pati me Shqiptarët
në Junik, mundi të hynte në Pejë më 6 të Qërshorit. Kryengritësit u tërhoqën në
Malësinë e Gjakovës. Por pas ca ditësh, Bajram Curri sulmoi në Qafën e Prushit katër
batalionë turq të cilët i shpartalloi plotësisht. Fitorja e tij pati një oshëtimë në tërë
Kosovën. Kryengritja po forcohej në rrethet e Gjakovës, të Prizrendit e të Pejës.

Në Malësinë e Leshit, Mirditë, Bregu-i-Matit, kishin nisur përpjekjet me Turqit. Këta


u munduan, si në vitin e kaluar, të përdornin politikën fetare për të ndarë Myslimanët
nga Katolikët, por nuk ia arritën dot qëllimit. Jo vetëm Myslimanët e Krujës u
bashkuan me Katolikët e Malësisë se Leshit, të Mirditës e të Zadrimës, po edhe në
Shkodër brenda u formua një komitet kryengritës. Ashtu edhe Dibra e Mati ishin
lidhur me krahinat katolike rreth e qark.

Gjatë kësaj kohe, në jugë ishte shtuar veprimtaria e çetavet. Shqiptarët e kolonivet,
shumica e të cilëve ishin nga juga, përpiqëshin për të mbledhur ndihma e për të gjetur
armë. Kolonia e Bukureshtit dërgoi në Korçë Pandeli Calen për t'i këshilluar
Orthodoksit që të bashkohëshin me Myslimanët në kryengritjen kundër Turqvet. Por
figura m'e shquar n'atë krahinë u tregua Themistokli Gërmënji, i cili, bashkë me Sali
Butkën, Spiro Ballkamenin e të tjerë, organizoi çetat që vepronin në qarkun e Korçës,
në rrethet e Follorinës, të Kolonjës, të Dangëllisë, të Përmetit. Disa të dërguar nga
Shqipëria e jugës vajtën në Kosovë për të bërë pjekje dhe për të lidhur fjalën me
udhëheqësit e kryengritjes s'atjeshme.

Në luftën për autonominë, Shqiptarët nuk kishin asnjë përkrahje të jashtëme. Austria
ua kishte thënë haptazi se nuk e pëlqente kryengritjen, e cila mund të nxirte ngatërresa
të tjera në Ballkan, prandaj s'iu jepte asnjë ndihmë. Por sigurisht e këshillonte Turqinë
që t'i qetësonte Shqiptarët duke iu njohur disa liri të kufizuara, për t'i prerë hovin
kryengritjes së tyre, e cila mund të shkaktonte hyrjen në valle të Serbisë dhe të Malit-
të-Zi. Ismail Qemali kishte pasur bisedime disa herë me ambasadorët e Austro-
Hungarisë në Stamboll e në Paris, iu kishte çfaqur shqetësimin e tij në lidhje me
gjëndjen e Shqipërisë, e cila nuk njihej akoma si kombësi as si njësi gjeografike dhe
ishte në rrezik të copëtohej ndërmjet shtetevet të Ballkanit në rast se do të përmbysej
Turqia. Iu kishte thënë gjithashtu se ai vetë dhe Shqiptarët shpresonin vetëm në
mprojtjen e Austro-Hungarisë. Por diplomatët austriakë i qenë përgjigjur se Shqiptarët
duhej të qëndronin në kuadrin e Perandorisë Otomane dhe të përparonin duke
bashkëpunuar e mbajtur marrëdhënie të mira me Turqinë. Nuk duhej të bënin
kryengritje, të cilat mund t'a trazonin gjendjen më keq. Pra Ismail Qemali e dinte se
nga Viena nuk pritej, asnjë ndihmë për kryengritjen. 15.000 pushkët dhe të hollat që
ishte zotuar të gjente, shpresonte t'i nxirte nga Italia, ku lëvizja pro-Albania po
tregohej mjaft vepronjëse. Duket se një sasi armësh dhe të hollash hynë prej Italie në
Shqipëri, por jo aq sa ishin premtuar. Qeveria italiane ndodhej në luftë me Turqinë
dhe kishte interes që t'i shkaktonte kësaj sa më shumë trazime, por në kryengritjen
shqiptare nuk mund të ndërhynte drejtpërdrejt për të mos ardhur në kundërshtim me
Austrinë, ose për të mos i dhënë rastin asaj t'a shfrytëzonte për vehte gjendjen në
Shqipëri. Ka të ngjarë që Ismail Qemali t'i jetë drejtuar për ndihmë edhe Anglisë, por
kjo s'mund të përzjehej në një çerdhe ngatërresash ku përpiqëshin interesat e Rusisë,
t'Austro-Hungarisë dhe t'Italisë. Pra Shqiptarëvet s'iu mbetej tjetër veçse të qëndronin
me forcat e tyre dhe me ato pak mjete që mund t'iu vinin prej kolonivet të jashtëme.

Ata që u vunë t'a shtynin kryengritjen shqiptare ishin shtetet e Ballkanit, sidomos
Serbia e Mali-i-Zi. Kurse Greqia filloi të nxirte çetat n'Epir. Qëllimi i Serbisë dhe i
Malit-të-Zi ishte që të shkaktonin sa më shumë rrëmujë në Shqipëri, t'i vinin Shqiptarë
e Turq kundër njëri-tjetrit, që kështu Serbo-Malazeztë të vërsulëshin në çastin e duhur
dhe të mos gjenin kundërshtim të fortë për të pushtuar tokat e lakmuara. Serbia formoi
çeta në Kosovë, desh të binte në marrëveshje me disa krerë shqiptarë për t'iu dhënë
armë e të holla që të luftonin kundër Turqvet. Serbët patën krijuar edhe një organizatë
terroriste, e quajtur "Dora e Zezë", gati për të vepëruar në Shqipëri me anën e tmerrit.
Kurse Mali-i-Zi vazhdonte gjithmonë intrigat në malësitë katolike të veriut.

Qeveria turke nuk dukej fort e shqetësuar për kryengritjen shqiptare, e cila nuk kishte
ndërlidhje, udhëheqje, kumandë, program as plan të përbashkët. Vepërimi i çdo
krahine kufizohej në rrethin e saj, vullnetarët aty mblidhëshin aty shpërndahëshin, nuk
ishin trupa të lëvizshme që të mund të çohëshin prej një vendi në tjetrin, prej veriut në
jugë ose anasielltas; krerët e kapedanët shpeshëherë nuk kishin të njëjtin qëllim as
merrëshin dot vesh midis tyre, se nga çdo kokë delte një zë. Qeveria e Stambollit i pati
shtypur gjithmonë këto lloje lëvizjesh, prandaj mund t'a shtypte ndoshta edhe këtë
sikur të mos kishte ngjarë çthurja në radhët e ushtërisë turke të vilajetevet të
Manastirit e të Kosovës.

Kundër mënyravet shtypëse të Turqvet të Rinj, përdhunimit të zgjedhjevet dhe


politikës së tyre të padrejtë kundrejt Shqiptarëvet, ishte krijuar n'ushtëri një rrymë e
fortë kundërshtare, e cila kërkonte rrëzimin e qeverisë, shpërndarjen e parlamentit dhe
zgjedhje të reja. Kjo rrymë ishte përhapur sidomos n'ushtërinë e vilajetevet të
Manastirit dhe të Kosovës, ku oficerët turq kishin formuar një organizatë të fshehtë
me emrin "Shpëtimtarët e Kombit", e cila lidhej me opozitën e vjetër parlamentare,
prandaj u quajt përgjithësisht itilafiste. Shqiptarët që shërbenin n'ushtërinë turke, si
oficerë ose edhe rekrutë, merrnin pjesë me shumicë në këtë organizatë.

Komiteti Shqiptar i fshehtë i Manastirit dijti të punonte në radhët e ushtërisë dhe të


shtynte oficerë e ushtarë shqiptarë që t'arratisëshin me armë e municione. I pari që u
largua nga korparmata e Manastirit ishte Tajar Bej Tetova me 150 ushtarë shqiptarë, i
cili u arratis më 22 Qërshor, duke marrë me vehte armë e municione, dhe kaloi në
Shqipërinë e jugës, në Kolonjë e në Frashër, ku u bashkua me çetat e Themistokli
Gërmënjit dhe të Sali Butkës. Ikja e Tajar Tetovës i ngjante pak a shumë asaj t'Ahmet
Niazi Resnjës më 1908. Të tjerë oficerë dhe ushtarë shqiptarë u arratisën prej
garnizonevet t'Ohrit, të Dibrës dhe të Korçës; numri i tyre arriti në disa qindra veta
nga mbarimi i Qërshorit. Bashkë me Shqiptarët filluan t'arratisëshin edhe oficerë turq,
të cilët kërkonin rrëzimin e qeverisë.

Mirëpo kishte një ndryshim në mes të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe t'asaj që u
krijua në radhët e ushtërisë turke. Qëllimi i Turqvet ishte që të rrëzonin qeverinë dhe
të bënin zgjedhje të reja, prandaj mund të bashkëpunonin me kryengritësit shqiptarë
deri n'atë cak, duke iu premtuar këtyre përmirësimin e administratës dhe disa të drejta,
por nuk e njihnin autonominë e Shqipërisë. Lëvizja ushtarake e Turqve të kësaj radhe
i ngjante asaj të Turqvet të Rinj, më l908, të cilët deshën të përfitonin nga forcat e
Shqiptarëvet sa për të rrëzuar regjimin e vjetër dhe për t'ardhur vetë në fuqi. Ky qëllim
i organizatës së fshehtë t'ushtërisë turke u kuptua fare mirë në Shqipërinë e jugës,
prandaj komitetet e "Shoqërisë së Zezë për Shpëtim" u vunë menjëherë t'a ndanin
punën e Shqiptarëvet nga ajo e Turqvet dhe të kërkonin me forcë autonominë duke
përhapur kudo lëvizjen e çetavet. Por në Kosovë, ku një pjesë e klerit dhe e parësisë
kishte akoma ndjenja turkomane, filloi të krijohej një pështjellim, pak a shumë si më
1908, dhe në disa raste kryengritja e Shqiptarëvet përzjehej me atë t'ushtërisë turke,
megjithëse atdhetarët këtë herë kishin një program kombëtar - programin e
autonomisë - dhe përpiqëshin t'a ndanin çështjen shqiptare nga ajo e Turqvet.

Sado i gjallë që po tregohej vepërimi i çetavet në Shqipërinë e jugës dhe të Mesmen,


dukej se edhe këtë radhë fati i Shqipërisë do të luhej në Kosovë. Këtu disa krerë të
lëvizjes, ndoshta për nevojë të çastit, u bashkuan me programin e opozitës ushtarake
turke, e cila iu premtonte Shqiptarëvet një përmirësim të gjendjes por jo autonominë.
Shkëputjen nga Turqia nuk e donin as oficerët shqiptarë t'arratisur, si Tajar Bej
Tetova, por këta, në jugë, s'i dëgjonte njeri. Qëndrimi i krerëve të Kosovës hodhi
pështjellim në mendjen e atdhetarëvet dhe ngjalli frikën se lëvizja do të përçahej duke
mos pasur një program të përbashkët. Kjo përzjerje e çështjes shqiptare
me itilafistët turq ishte një përsëritje e mërzitshme e historisë dhe mund të
përfundonte si më 1908. Sadoqë vetëdija kombëtare kishte bërë përparim - sepse
Turqit e Rinj, me shtrëngimet dhe sjelljet e këqia të tyre, e patën zhvilluar në vend që
t'a ulnin - politikisht Shqiptarët ishin të papjekur, s'mund të kishin një program e plan
të përbashkët, një kumandë e qendër drejtonjëse të vetëme, prandaj shfrytëzohëshin
gjithmonë prej të tjerëvet, pa qënë kurrë në gjendje që të përfitonin këta vetë nga
rrethanat. Ishte rrezik që edhe këtë herë të bënin lodrën e opozitës ushtarake turke,
sikurse më 1908. Por nuk ndodhi kështu, sepse lëvizja kryengritëse ishte përhapur në
tërë Shqipërinë, disa ide të përgjithshme rreth autonomisë qarkullonin më çdo anë,
dhe opozita itilafiste nuk ishte aq e fortë sa t'iu impononte vullnetin e saj Shqiptarëvet.
Prandaj mund të themi se këta përfituan nga çthurjet që ngjajtën në radhët e ushtërisë
turke.

Megjithatë, qeveria e Stambollit u mundua t'a shtypte lëvizjen shqiptare me anën e


trupavet besnike, të cilat ishin akoma të shumta dhe, në Kosovë, kumandohëshin prej
Fadil Pashës. Ky u nis vetë në ndjekjen e kryengritësvet, por u prit kudo me pushkë
dhe ndeshi në një qëndresë t'ashpër. Shqiptarët ishin forcuar jo vetëm në malësitë e
Gjakovës, të Pejës dhe në rrethet e Prizrendit, por vepronin deri në veri-lindje të
Kosovës, ndërmjet Podujevës, Novi-Pazarit, Mitrovicës dhe Prishtinës. Trupat e Fadil
Pashës që deshën t'a shtronin këtë anë, pësuan gjatë Qërshorit dhe në ditët e para të
Korrikut disa goditje të forta prej kryengritësvet, të cilët udhëhiqëshin nga Isa Buletini
dhe ca kapedanë të tjerë. Në një luftim tek Ura e Senicës, Shqiptarët thyen dy
batalionë turq. Lëvizja vinte duke u zgjeruar. Të tjera forca kryengritëse, nën
kumandën e Idriz Seferit, Mehmet Pashë Derallës dhe Islam Spahiut, vepronin në
krahinat ndërmjet Gjilanit, Prizrendit e Tetovës, duke i shkaktuar humbje ushtërisë
turke dhe duke e shtrënguar që të mbyllej nëpër qytetet. Kurse Shqiptarët zunë grykat
e Kaçanikut, të Cernolevës dhe të tjera pika të forta për t'i prerë armikut ndërlidhjet
dhe mundësinë e prurjes së trupave të reja. Përpjekja vazhdonte në Shqipërinë e
Mesme, me luftime çetash, dhe në tërë jugën gjer në Çamëri. Por, siç thamë, qendra e
kryengritjes u bë Kosova, ku me mijëra burra t'armatosur, nga Rrafshi i Dukagjinit,
nga rrethet e Prizrendit e të Gjilanit si edhe prej anës së Novi-Pazarit e të Mitrovicës,
iu drejtuan Prishtinës. Fusha e Kosovës u mbush me kryengritësit shqiptarë, të cilët
hynë në Prishtinë më 22 të Korrikut.

Disa ditë më parë, oficerët e korparmatës së VI të Manastirit kishin kërkuar rrëzimin e


qeverisë së Stambollit. Kryengritja e Shqiptarëvet e tronditi gjendjen më shumë
akoma. Qeveria e Said Pashës dha dorëheqjen. Një qeveri e re u formua më 23 Korrik
nën kryesinë e Ahmet Myftar Pashës me një rreth ministrash që gëzonin besimin e
opozitës ushtarake ose itilafiste. Detyra m'e parë e kësaj qeverie ishte rregullimi i
paqes me Shqiptarët, prandaj dha urdhër që të pushonin përpjekjet me armë dhe
vendosi të dërgonte në Kosovë një komision për të nisur bisedimet me kryengritësit.
Tani Shqiptarët ndodhëshin përpara dy problemeve me rëndësi: e para, duhej të
kërkonin autonominë administrative me bashkimin e tokavet shqiptare në një vilajet të
vetëm, që kështu të caktohëshin kufijt e Shqipërisë. E dyta, në bisedimet që do të
zhvillohëshin në Kosovë duhej të merrnin pjesë përfaqësonjës nga të katër vilajetet
dhe nga i tërë vendi, për të mos lejuar që Turqit të bënin marrëveshje krahinore të
veçanta me kryengritësit si në vitin 1911.

Krerët dhe kumandarët e çetavet të Shqipërisë së jugës mbajtën një mbledhje të


madhe në Qafën e Sinjës (afër Beratit), më 23 Korrik 1912, për të paraqitur ankimet
dhe kërkesat e tyre në një memorandum prej dymbëdhjetë pikash i cili ishte si ai i
Gërçes. Krerët e mbledhur shtonin në fund se nuk do t'i lëshonin armët por do të
qëndronin malevet deri sa të merrëshin parasysh kërkesat e tyre. Memorandumi iu
dërgua Sulltanit telegrafisht nga Vlora, më 29 Korrik, dhe iu njoftua konsujvet të
fuqive të mëdha. Shqiptarët e jugës nuk kishin të bënin me oficerët e
opozitës itilafiste turke dhe kërkonin autonominë në tërë kuptimin e saj.

Nga mbarimi i Korrikut, disa atdhetarë kosovarë kishin botuar një thirrje me anën e së
cilës ngulmonin që të bëhej një mbledhje ku të merrnin pjesë përfaqësonjës prej të
katër vilajetevet të Shqipërisë, për të vendosur bashkarisht se çfarë të drejtash do t'i
kërkohëshin qeverisë turke. Të njëjtat mendime çfaqte shtypi i mërgimit, i cili nuk
donte marrëveshje gjysmake por njohjen e autonomisë shqiptare nga ana e Portës së
Lartë. Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin, të cilët n'atë kohë ndodhëshin jashtë
atdheut, iu shkruanin disa krerëve se në Kosovë duhëshin dërguar përfaqësonjës nga
të gjitha anët e Shqipërisë, për të treguar që Shqiptarët, si në luftë ashtu edhe në
mendimet e në kërkesat e tyre, ishin të njëjtë dhe të pandarë. Porositnin gjithashtu që
kryengritësit të mos gënjehëshin si tjetër herë, por të mbanin vendet, të forconin
lidhjet midis tyre dhe të kërkonin me këmbëngulje për të katër vilajetet njohjen e të
drejtavet ashtu siç ishin parashikuar në dymbëdhjetë pikat e memorandumit të Gërçes.

Nga Shqipëria e jugës nuk mundën të vinin përfaqësonjës në Kosovë, se s'pati kohë
mbasi ngjarjet po rridhnin shpejt. U nisën disa nga Shqipëria e Mesme dhe e veriut,
por as këta nuk arritën dot me kohë. Kështu që, praktikisht, në bisedimet shqiptaro-
turke mori pjesë vetëm parësia e Kosovës. Po edhe sikur të kishin ardhur dërgata nga
viset e tjera, vetëm fjala e Kosovarëvet do të dëgjohej, mbasi ata kishin mundur të
grumbullonin një forcë t'armatosur. Disa komitete të Shqipërisë së jugës ngarkuan me
anë telegramash si përfaqësonjës të tyre Hasan Prishtinën, duke ia theksuar që të
kërkonte nga qeveria e Stambollit zbatimin e dymbëdhjetë pikavet të famshme.
Mirëpo kur erdhi Komisioni turk në Prishtinë, më 27 Korrik, Shqiptarët, përpara çdo
bisedimi tjetër, kërkuan shpërndarjen e menjëhershme të parlamentit. Përndryshe, do
t'a rifillonin luftën pas dy ditësh. Kjo kërkesë e trashë shprehte urrejtjen e Hasan
Prishtinës për një parlament ku atij i pat qënë mbyllur rruga e rizgjedhjes, si edhe
ndikimin e opozitës itilafiste turke në një pjesë të parësisë turkomane të Kosovës, por
nuk lidhej aq ngushtë me autonominë e Shqipërisë, e cila duhej t'ishte fjala e parë. Do
të kishte qënë më me vend dhe shumë m'e hijëshme, më heroike, sikur ana shqiptare
të kishte thënë: "Po nuk iu njoh menjëherë autonomia Shqipërisë, e rifillojmë luftën
pas dy ditësh". Parlamenti turk, sido që t'ishte zgjedhur, ishte një çështje që i përkiste
gjithë Perandorisë Otomane dhe jo vetëm Shqiptarëvet. Kryeministri u përgjigj duke
lypur pak durim dhe ngarkoi mareshal Ibrahim Pashën për të vazhduar bisedimet e
ndërprera, të cilat rifilluan më 2 të Gushtit. Ndonëse kishte rreth vehtes atdhetarë si
Bajram Currin e Nexhip Dragën me shokë, dhe në mendje kërkesat kombëtare, Hasan
Prishtina, i detyruar prej parësisë turkomane, pasi numëroi në një fjalim të nxehtë
dëmet dhe shkretimet që Turqit e Rinj i kishin sjellë këtij vendi, u lëshua edhe një
herë kundër parlamentit si Ciceroni kundër Katilinës, duke ngulmuar që të
shpërndahej. Qeveria turke iu përul vullnetit të Shqiptarëvet dhe, me një dekret të
Sulltanit, e shpëmdau parlamentin më 5 të Gushtit. Kështu u kënaq opozita itilafiste, e
cila nuk dëshironte gjë tjetër përveç kësaj.

Por nuk u kënaqën Shqiptarët, mbasi asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare nuk ishte
marrë akoma parasysh. Prandaj nga shumë anë dhe qytete të Shqipërisë, sidomos në
jugë e në të Mesmen, filluan thirrjet drejtuar me telegram kryeministrit në Stamboll
dhe Komisionit shqiptar të bisedimevet në Kosovë. Në disa qytete të Shqipërisë së
jugës u organizuan mbledhje për të kërkuar autonominë. Manastiri, Elbasani dhe më
vonë Tirana dërguan përfaqësonjësit e tyre në Prishtinë. Atdhetarët e çdo krahine u
përpoqën të njësonin pikëpamjet dhe të paraqitnin një program të përbashkët
kërkesash me karakter kombëtar. Nga këto thirrje u forcua dhe qëndrimi i
kryengritësvet në Kosovë, të cilët në këtë ndërkohë kishin zbritur në Ferizaj, ku
ndodhëshin jashtë ndikimit të parësisë fanatike të Prishtinës. Mbasi u kënaqën dëshirat
e turkomanëvet itilafistë me shpërndarjen e parlamentit, iu erdhi radha edhe
kërkesavet kombëtare. Por, si taktikë politike, puna ishte nisur keq: duke vënë si kusht
të parë shpërndarjen e parlamentit, krerët e Kosovës kishin lënë të kuptohej se ata
interesohëshin më fort për gjëndjen përgjithshme të Perandorisë se sa për kombësinë e
tyre. Turqit u vunë t'a shfrytëzonin këtë dobësi duke futur intrigat e përçarjes dhe duke
zgjuar fanatizmin e vjetër. Kurse, në tjetër anë, shtetet e Ballkanit filluan të
shqetësohëshin, të lëviznin dhe t'a shpallnin haptazi se nuk lejonin krijimin e një
Shqipërie mbi katër vilajetet. Mali-i-Zi, me pëlqimin e malësorëvet, e nxori ushtërinë
përkëtej kufijvet dhe zuri disa fshatra shqiptare. Turqit i përhapën me të shpejtë këto
lajme për t'iu treguar kryengritësvet kosovarë se vendi i tyre ndodhej në rrezik. Idenë
e autonomisë shqiptare e kishin sidomos Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga, por këta
ndeshën jo vetëm në kundërshtimin e turkomanëvet po edhe të disa udhëheqësve të
kryengritjes, si Isa Buletini, Idriz Seferi e të tjerë, të cilët ishin për kërkesa më të
matura dhe për gjetjen e një pajtimi me Stambollin. N'ato rrethana, Hasan Prishtina
hartoi një program prej katërmbëdhjetë pikash, ku desh të pajtonte dëshirat e
atdhetarëvet të zhvilluar dhe mendësinë e fanatikëvet të prapambetur. Programi iu
dorëzua Ibrahim Pashës, më 9 të Gushtit, n'emër të katër vilajetevet. Mareshali turk
premtoi se do t'a përkrahte dhe ia kumtoi telegrafisht Stambollit.

Katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës përmbanin disa kërkesa të përsëritura


kushedi sa herë, që kishin të bënin me përmirësimin e drejtësisë dhe t'administratës ku
nëpunësit duhej të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit, me kryerjen e shërbimit
ushtarak në Shqipëri në kohë paqeje, me arësimin dhe llojet e shkollavet, shtetërore e
private, ku mësimi i shqipes duhej të futej në të gjitha, me organizimin e nahijevet
(komunevet), me ndërtimin e rrugëvet dhe zhvillimin e ekonomisë, me faljen e
përgjithshme, këthimin e armëvet atyreve që iu ishin marrë dhe dëmshpërblim për
diegiet e prishjet gjatë kryengritjevet. Për të kënaqur fanatikët myslimanë, kërkohej
hapja e medresevet (shkolla fetare) dhe ruajtja e zakonevet islamike. Për t'iu ardhur
pas volltës Shqiptarëvet përgjithësisht, shënohej e drejta e mbajtjes s'armëvet dhe
nderimi i zakonevet të vendit. Më në fund, për krimet, diegiet dhe shtypjet që iu ishin
bërë Shqiptarëvet, kërkohej që të delnin përpara gjyqit të lartë ish-kryeministrat Haki
Pasha dhe Said Pasha me qeveritë e tyre.

Siç shihet, katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës nuk kërkonin bashkimin e tokavet
shqiptare në një vilajet të vetëm - gjë që do të sillte caktimin e kufijvet të Shqipërisë
dhe njohjen e kombësisë së saj - prandaj ishin akoma shumë larg nga programi
kombëtar i autonomisë. E vetëmja pikë që diçka vlente për këtë qëllim, ishte
organizimi i nahijevet (komunevet), të cilat me anën e këshillevet ose të krerëvet të
tyre mund t'ushtronin disa të drejta të shkëputura prej autoritetit shtetëror. Por këto të
drejta ose venome krahinore ishin shumë larg nga bashkimi kombëtar.

Mbasi përgjigjia nga Stambolli nuk po vinte shpejt, kryengritësit vendosën të zinin
Shkupin, ku hynë më 12 të Gushtit. Qëndra e vilajetit ishte tani në duart e
Shqiptarëvet, forcat e të cilëvet arrinin në 30.000 veta. Kjo ngjarje e tronditi qeverinë
turke, ndërsa nëpër qytetet e Shqipërisë buçiti enthusiazmi, u bënë mbledhje e thirrje
të reja për autonomi. Por kryengritësit e Kosovës nuk kishin për qëllim të merrnin
pushtetin. Asnjëri prej udhëheqësvet të tyre - dhe asnjë Shqiptar n'atë kohë - nuk ishte
në lartësinë e një vepre të këtillë. Ata vunë dorë vetëm në depot e armëvet, liruan të
burgosurit, dhe po rrinin në pritje. Është për t'u shënuar se kryengritësit u suallën
shumë mirë nëpër qytetet, si në Shkup e gjetkë, ku mbajtën rregullin me një disiplinë
shembullore. Nuk ngjau as vjedhje, as plaçkitje, asnjë punë e shëmtuar kundrejt
pakicavet kombëtare të tjera. Kjo fisnikëri tërhoqi vëmëndjen e të huajvet, të cilët
kujtonin se Shqiptarët nuk ishin të zotët të vetqeverisëshin.

Memorandumit që i pati drejtuar mbledhja e Qafës së Sinjës, Porta e Lartë i ishte


përgjigjur më 2 të Gushtit duke premtuar dërgimin e një komisioni të posaçëm për të
hetuar gjendjen. Stambolli mendonte t'i sillte në paqe veç e veç krahinat e veriut e të
jugës, ashtu si një vit më parë. Por këtë herë kryengritja kishte marrë një hov më të
përgjithshëm. Në Fier e në Berat hynë çetat shqiptare. Po ashtu ngjau në Leskovik dhe
në Përmet, ku Shqiptarët përzunë autoritetet turke. "Shoqëria e Zezë për Shpëtim"
nxori shpallje në Korçë dhe në të tjera qendra të vilajetit të Manastirit duke e shtytur
popullin në luftë, gjersa t'i njihej Shqipërisë vetqeverimi. Trimat e malevet hynë
n'Elbasan, në Peshkopi, në Dibër, ndërsa çeta e Gjeto Cokut, nga malësia e Leshit,
provoi të kapte depon e armëvet në Durrës por nuk mundi.

Më 18 Gusht, Ibrahim Pasha ua njoftoi krerëvet shqiptarë në Shkup se Porta e Lartë i


pranonte kërkesat e tyre, me përjashtimin e këthimit t'armëvet, të kryerjes së shërbimit
ushtarak në vend dhe të nxjerrjes së qeverivet të Haki Pashës dhe të Said Pashës
përpara gjyqit. Por në shpalljen zyrtare që bëri qeveria turke disa ditë më vonë, të
drejtat që iu njihëshin këtyre vilajeteve (se fjala Shqipëri nuk përmendej) ishin
shprehur në një formë jo të qartë dhe nuk caktohej mënyra se qysh dhe kur do të
zbatohëshin.

Përgjigjen e Stambollit Hasan Prishtina ua lajmëroi telegrafisht qytetevet të Shqipërisë


si një fitore, duke kërkuar që t'iu jepej fund luftimevet. Në të vërtetën, pranimi i të
quajturavet pika të Hasan Prishtinës nuk zgidhte përfundimisht asnjë problem: as
caktimin e kufijvet të Shqipërisë, as bashkimin dhe autonominë e saj. Mund të themi
vetëm se ishte si një farë njohjeje e kombësisë shqiptare nga ana e Turqisë, mbasi kjo
pranonte futjen e mësimit të shqipes në të gjitha shkollat e atyre krahinave dhe që
nëpunësit e administratës duhej të dinin gjuhën e vendit.

A ishte gjë e madhe kjo? - Varet se nga ç'anë e shikojmë. Në krahasim me programin
e autonomisë, ishte një gjë fare e pakët. Po kur mendojmë se Shqiptarët - një popull i
vogël, i varfër, i paditur, i përçarë në fe e në krahina - duke luftuar tre vjet rresht
vetëm me forcën e tyre, me mjetet e tyre, pa asnjë ndihmë a përkrahje të jashtëme, e
shtrëngojnë Perandorinë Turke të vijë në marrëveshje paqeje me ta, ishte punë e
madhe.

Lufta e këtyre tre vjetëve - me vuajtjet e përbashkëta, përpjekjet, mbledhjet,


programet, shkëmbimin e mendimevet ndërmjet Veriut dhe Jugës - e zgjeroi vetëdijën
dhe i forcoi lidhjet kombëtare. Populli shqiptar delte m'i bashkuar, m'i rysur e m'i
pjekur si komb.

Hyrja e Turqisë në bisedim me Shqiptarët, pas fitores së këtyre, i shqetësoi shtetet


fqinjë të Ballkanit, të cilët ishin kundër krijimit të një Shqipërie. Që në fillim të
Gushtit, Serbia e Bullgaria, duke druajtur bashkimin e të katër vilajetevet në një shtet
shqiptar autonom, zunë të protestonin pranë Turqisë dhe disa fuqive të mëdha. Sipas
mendimit të tyre, n'ata vilajete kishte popullsi bullgare, serbe e greke, të cilat nuk
duhej të përmblidhëshin nën sundimin e Shqiptarëvet. Ky ishte një shkak ndërhyrjeje,
se Shqiptarët nuk kërkonin veçse bashkimin e krahinavet të tyre, dhe t'atyre vendeve
ku ata përbënin shumicën dërrmonjëse. E kishin shpallur kushedi sa herë se nuk
lakmonin tokat e fqinjëvet.

Nga ana tjetër, kur Austro-Hungaria, e pa se nuk mund të ndalej kryengritja e


Shqiptarëvet dhe se këta, me katërmbëdhjetë pikat e paraqitura, nuk po kërkonin
shkëputjen nga Turqia por vetëm një përmirësim t'administratës dhe disa të drejta
kulturore - të cilat pajtohëshin me politikën austriake në Shqipëri - nisi t'i përkrahte
menjëherë kërkesat e tyre porsa trimat e Kosovës zunë Shkupin. Veçse përkrahja e
Vienës, gjithmonë e butë dhe me dorëza mëndafshi, nuk desh të shqetësonte shtetet
fqinjë të Ballkanit, prandaj s'ishte as për autonominë as për caktimin e kufijve të
Shqipërisë; ishte vetëm për njohjen e disa të drejtave zakonore dhe futjen e mësimit të
shqipes nëpër shkollat. Më 13 Gusht (të nesërmen e hyrjes së Shqiptarëvet në Shkup),
ministri i Punëve të Jashtëme t'Austro-Hungarisë, konti Berchtold, iu propozoi fuqivet
të mëdha që të bënin një ndërmjetësim të përbashkët pranë qeverisë turke, për t'i
këshilluar kësaj një politikë shpërqëndrimi (decentralizimi) nga e cila do të përfitonin
edhe kombësitë e tjera të Rumelisë. Fuqitë e mëdha nuk e pranuan këtë propozim, të
cilin Rusia e quante si një manevër t'Austrisë për të krijuar një Shqipëri nën sundimin
e saj. Megjithatë, Austro-Hungaria dhe Gjermania e këshilluan Turqinë që t'i pranonte
kërkesat e kufizuara të Shqiptarëvet për të mos e shtytur më tutje kryengritjen e tyre.

Por shtetet e Ballkanit u vunë menjëherë në lëvizje. Greqia, e cila në këtë kohë kishte
futur çetat n'Epir, porsa mori vesh se qeveria turke i pranoi kërkesat e Shqiptarëvet më
18 Gusht, iu propozoi Bullgarisë, Serbisë dhe Malit-të-Zi që të bënin një ndërhyrje të
përbashkët në Stamboll për njohjen e atyre të drejtave edhe popullsivet greke e sllave.
Një çap të këtillë pranë qeverisë turke e bëri, një ditë më pas, edhe Rusia. Porta e
Lartë desh t'i qetësonte shtetet e Ballkanit dhe Rusin, prandaj në shpalljen zyrtare ku
njoftohej pranimi i kërkesavet të kryengritësvet kosovarë, nuk përmendej
emri Shqiptarë as Shqipëri, me qëllim që të kuptohej se ato të drejta mund t'iu
jepëshin edhe popullsivet të tjera të vilajetevet të Kosovës, të Manastirit dhe të
Janinës.

Këto masa të kujdesshme nuk i vlejtën shumë Turqisë. Shpërthimi i furtunës po


afrohej. Mali-i-Zi, gjithmonë shkaktar ngatërresash në Ballkan, i kishte nisur
ngacmimet. Krajl Nikolla desh të bënte për vehte klerin katolik të Shkodrës, por nuk
mundi. Mandej i propozoi Prenk Bib Dodës krijimin e një principate katolike rreth
Mirditës, me kusht që Kapidani t'a ndihmonte Malin-e-Zi për të pushtuar Shkodrën
dhe pjesën e Shqipërisë veriore gjer në Drin. Më në fund, me anën e disa bajraktarëve
që ishin bërë agjentë të tij, si Sokol Baci nga Gruda, Mali-i-Zi mundi të gënjente një
pjesë të malësorëvet katolikë shqiptarë dhe t'i hidhte në luftë kundër Turqisë. Kjo iu
dha rastin Turqvet për të rifilluar nxitjen e fanatizmit fetar në vilajetet e Shkodrës dhe
të Kosovës, por Shqitarët myslimanë nuk luajtën vendit. Ushtëria turke bëri ndjekje të
rrepta kundër popullsisë katolike të Zadrimës dhe, me sjelljet e saja, i shtyti malësorët
t'afrohëshin më shumë akoma me Malin-e-Zi. Gjatë muajit të Shtatorit ngjajtën
luftime t'ashpra ndërmjet malësorëvet katolikë të Malësisë së Madhe, të ndihmuar nga
trupat malazeze, dhe Turqvet.

Gjendja midis shtetevet të Ballkanit dhe Turqisë po keqësohej për ditë. Në mbarim të
Shtatorit, të dy anët filluan të bënin mobilizimin ushtarak. Më 6 të Tetorit u nënshkrua
një traktat aliance ndërmjet Serbisë dhe Malit-të-Zi. Më 7 të Tetorit, Austro-Hungaria
me Rusinë e shpallën edhe njëherë n'emër të fuqivet të mëdha se ishin për mbajtjen
e statu quo-së në Ballkan dhe se, në rast të një lufte ndërmjet Turqisë dhe fqinjëvet të
saj, nuk do të lejonin ndryshime tokësore në gadishullin. Por më 8 Tetor, Mali-i-Zi i
hapi luftë Turqisë. Më 17 t'atij muaji i shpallën luftë Turqisë edhe Serbia me
Bullgarinë dhe, një ditë më vonë, Greqia.

Duke mos qënë akoma gati për një luftë të përgjithshme, Rusia u përpoq t'a ndalte
konfliktin të cilin e kishte pregatitur dhe shtytur ajo vetë, por tani ishte tepër vonë.

Shqipëria ndodhej përpara një gjendjeje shumë të vështirë, dhe m'e keqja ishte se
s'dinte ç'të bënte as nga të mbante. Një nga qëllimet e Luftës ballkanike ishte pikërisht
copëtimi i saj ndërmjet fqinjëvet. Sllavët dhe Grekët e shikonin kombin shqiptar si të
huaj në truallin e tij, si të tepërt, si një popull armik dhe të papajtuarshëm me ta.
Ngaha iu vinin këto ndjenja? -Nga historia? -Nga ndryshmësitë ethnike? Ndoshta nga
instinkti i bishës kundrejt një gjahu të pamprojtje.

Shqiptarët, duke mos pasur as bashkim, as ushtëri, as qendër drejtonjëse, as mjete, as


plan, as kumandë, nuk mund t'iu bënin ballë shtetevet të Ballkanit nëqoftëse këta do
t'a thyenin Turqinë. Disa atdhetarë u përpoqen t'a drejtonin popullin, ose ti jepnin
udhëzime. Shtypi i mërgimit, si gazeta "Liri e Shqipërisë" që botohej në Sofje, iu
bënte Shqiptarëvet një thirrje ca ditë përpara se të pëlciste lufta: "...të marrim armët
dhe të mprojmë kufijtë e mëmëdheut tonë, duke kërkuar autonominë e Shqipërisë.
Duhet të ngrehim flamurin shqiptar dhe të kërkojmë të drejtat tona". Thirrja ishte
heroike, po kush do t'a zbatonte, me çfarë forcash dhe me çfarë mjetesh? Kurse
Shqiptarët e Amerikës e shikonin punën ndryshe. Faik Konitza, Fan Noli e të tjerë nuk
besonin se do të thyhej Turqia prej Ballkanikëvet dhe nuk kishin shpresë për
Shqipërinë tek mprojtja e Austrisë. Prandaj në një mbledhje të madhe që
mbajti Federata Vatra, në Boston, më 7 të Tetorit, udhëheqësit e kolonisë nuk shihnin
tjetër mënyrë shpëtimi veçse duke u pështetur tek Turqia. Të gjithë të pranishmit u
habitën kur dëgjuan prej krerëvet të tyre se interesi dhe detyra e Shqiptarëvet ishte që
"të bashkohëshin plotësisht me qeverinë otomane kundër armiqve të Perandorisë".
Sepse "po të thyhej Turqia, shtetet ballkanikë do t'a coptonin Shqipërinë." Kurse
Turqia, disa të drejta ua kishte njohur Shqiptarëvet, dhe bashkësia kombëtare e këtyre,
hëpërhë, mund të sigurohej në kuadrin e Perandorisë. Ky mendim ishte i urtë nga
njëra anë, por paraqiste rreziqe nga ana tjetër: sikur të thyhej Turqia, siç u thye,
Shqiptarët do të pësonin fatin e saj, ose të paktën do t'iu jepnin shtetevet ballkanikë
një arësye më shumë përpara fuqivet të mëdha për t'a copëtuar Shqipërinë si një
krahinë turke. Natyrisht, Turqia i mobilizoi Shqiptarët, por këta luftuan më fort për të
mprojtur vendin e tyre kundër fqinjëvet, dhe filluan të shkëputëshin nga radhët e
ushtërisë turke kur kjo desh t'i përdorte si një forcë për sigurimin e krahëvet në
tërheqjen e saj.

Më mirë e shihnin gjendjen Shqiptarët brenda, dhe sidomos "Shoqëria e Zezë për
Shpëtim". Antarët e kësaj, Nexhip Draga, Midhat Frashëri, Sali Gjuka e të tjerë, me
pëlqimin e Hasan Prishtinës dhe të Bajram Currit që n'atë kohë po mundohëshin të
forconin qëndresën rreth kufijvet, organizuan një mbledhje në Shkup, më 14 Tetor
1912. Të pranishmit u gjetën në një mendje se Turqia do t'a humbiste luftën, dhe
mbledhja vendosi t'u a bënte të njohur fuqivet të mëdha që populli shqiptar po rrokte
armët jo për të mbajtur sundimin e Turqisë në Ballkan, po për të mprojtur tërësinë
tokësore dhe lirinë e Shqipërisë. Mbledhja kërkonte, n'emër të popullit shqiptar,
bashkimin e të katër vilajetevet në një formë të vetëme qeverimi. Kjo shpallje iu
dorëzua konsujvet të fuqivet të mëdha në Shkup, më 16 të Tetorit. Njëkohësisht
mbledhja caktoi të dërgonte njerëz në Malësinë e Madhe, për t'i shkëputur malësorët
nga bashkëpunimi i verbër me Malin-e-Zi. Kjo dërgatë u ngarkua gjithashtu të bënte
lidhjen e krahinavet për qëndresë dhe mundësisht të pregatiste thirrjen e një kuvendi
kombëtar. Por vepërimet luftarake nga ana e fqinjëvet u zhvilluan aq shpejt, sa që
dërgata nuk arriti dot në Malësinë e Madhe, as bëri dot gjëkafshë përsa ishte ngarkuar.

Njeriu me shikimin më të mprehtë, n'atë kohë, u tregua Ismail Qemali. Ky nuk e


kishte, mjerisht, atë "dorë të hekurt" që i ka dhënë legjenda kombëtare, por ishte i
hollë si politikan e si diplomat. Nuk i mungonte as guximi i nismës dhe i marrjes së
përgjegjësisë. Sado i drejtë dhe plot shpirt atdhetarie që kishte qënë vendimi i
mbledhjes së "Shoqërisë së Zezë" në Shkup, Shqiptarët nuk kishin as organizimin, as
numrin, as mjetet për t'i qëndruar rrebeshit me forcat e tyre. Megjith politikën e vakët
që kishte treguar deri atëhere Austro-Hungaria, Ismail Qemali e kuptoi se fati i
Shqipërisë do të luhej në Vienë. "Kur Aliatët ballkanikë i shpallën luftë Turqisë",
thotë ai vetë në Kujtimet e tija, "dhe ushtëritë bullgare zunë Kirk-Kilisenë, ndërsa
Serbët pushtuan Shkupin, mendova se kishte ardhur koha për ne Shqiptarët që të
merrnim masa energjike për shpëtimin tonë". Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin
kishin shkuar prej Stambollit në Bukuresht, nga fillimi i Tetorit, për t'i shikuar punët
me koloninë shqiptare të Rumanisë dhe për të ndërlidhur vepërimin e atdhetarëvet
përjashta, me qëllim që të mpronin të drejtat e Shqipërisë përpara fuqivet të mëdha.

Ndërkaq, ushtëritë e Aliatëvet ballkanikë përparuan me një shpejtësi të pabesuarshme.


Turqit u thyen kudo dhe u prapsën. Grushtin më të rëndë ua dhanë Bullgarët në
Thrakën e lindjes, ku ishin përqendruar forcat kryesore t'ushtërisë turke. Mali-i-Zi nisi
dy kolona në drejtim Shkodrës, dhe me një tjetër mësyjti Pejën të cilën e pushtoi. Në
malësitë shqiptare nguli trobojnicën. Malësorët që patën bashkëpunuar me Malin-e-
Zi, e kuptuan, kur iu ra kopani prapa kokës, se sa "të mençëm" kishin qënë. Ushtëritë
serbe pushtuan Prishtinën, Gjilanin, Prizrendin dhe, bashkë me trupat malazeze,
Gjakovën. Pas fitores që patën mbi turqit në betejën e Kumanovës, fuqitë serbe zunë
Shkupin, më 26 Tetor, dhe u varën në dy drejtime: një pjesë zbriti nga juga, drejt
Manastirit, pjesa tjetër mori nga perëndimi duke shkelur Shqipërinë e veriut nëpër
Lumë, Mirditë e Mat, për të dalë sa më shpejt në detin Adriatik. Në të njëjtën kohë,
ushtëria greke i theu forcat turke në Thesali e n'Epir, pushtoi Selanikun nga njëra anë,
dhe nga ana tjetër rrethoi Janinën.

Shqiptarët u përpoqën të bënin një farë qëndrese por, të shpërndarë dhe të


paorganizuar siç ishin, s'mund të mbahëshin përpara ushtërivet të rregullta t'armiqvet.
Disa njësi shqiptare që kishin shërbyer në ushtërinë turke, u ndanë prej saj dhe deshën
të mpronin vendin e tyre, por s'kishin lidhje, organizim as kumandë.

Në fillim të luftës, për të qetësuar Shqiptarët ose edhe për të pasur ndihmën e tyre,
Aliatët ballkanikë e patën shpallur se vinin si "çlironjës". Mbreti Pjetër i Serbisë, në
një shpallje drejtuar ushtërisë së tij, thoshte se do t'iu sillte edhe Shqiptarëvet, pa
dallim feje, "lirinë, barasinë dhe vëllazërinë", njëlloi si Serbvet. Por pastaj ushtëritë
ballkanike zunë t'i quanin të tyret tokat e pushtuara, dhe gazetat greke shkruanin se as
nuk mund të mendohej që "barbarët Shqiptarë të jetonin të pavarur në mes të
qytetërimit helenik". Një gjuhë të këtillë mbante edhe shtypi serb, për të cilin
Shqiptarët ishin një "fis i egër" që s'mund të qëndronte i pavarur as mund të formonte
shtet më vehte. Bashkë me këto fjalë "të hijëshme", Ballkanikët e "qytetëruar"
plaçkitën rrëmbyen, shnderuan, dhe vunë kosën mbi popullin shqiptar duke vrar' e
therur me mijëra burra, gra, pleq e fëmijë, për t'a çfarosur "fisin e egër".

N'ato rrethana tragjike, përveç qëndresës së pashpresë që pastaj u kufizua në Shkodër


e në Janinë, Shqiptarëvet s'iu kishte mbetur tjetër veçse të bënin protestat e
zakonshme pranë fuqivet të mëdha. Ashtu bënë, prej Stambollit, një grup krerësh
shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Ashtu bëri Vatra e Amerikës pas një mbledhjeje
që u mbajt në Boston, më 17 të Nëntorit, ku fjalimi i Faik Konitzës preku zemrat.
Edhe brenda prej Shqipërie, parësia e Tiranës dhe e Durrësit i drejtoi një telegram
perandorit t'Austrisë, Franz Jozefit II, më 12 të Nëntorit.

Që Shqipëria të mprohej me forcat e saja, s'kishte mbetur asnjë shpresë. Puna ishte se
do të vendosnin fuqitë e mëdha, e në radhë të parë Austro-Hungaria. Pas thyerjes
s'ushtërivet turke, mbajtja e statu quo-sënë Ballkan dukej e pamundur. Fuqitë e
interesuara, Rusia dhe Austro-Hungaria, po bënin planet sesi do të rregullohej harta e
gadishullit. Ndërmjet 25 e 30 të Tetorit, një mbledhje ministrore e përgjegjësvet
politikë dhe ushtarakë të Vienës u muar kryesisht me çështjen e Shqipërisë, e cila u
shikua si zonë e një interesi jetësor për Austro-Hungarinë. Shqipëria vlente për t'i
prerë ndonjë fuqie tjetër, të madhe a të vogël, rrugën e daljes n'Adriatik dhe në detin
Jon, prandaj duhej mprojtur me çdo çmim. Sipas qarqevet të Vienës, duhej mëkëmbur
një shtet shqiptar autonom, ose i pavarur nëqoftëse nuk do të kishte mundësi lidhjesh
me Turqinë. Që t'ishte në gjendje të mbahej, shteti i ri duhej të kishte një shtrirje
gjeografike të mjaftuarshme duke përfshirë mundësisht të gjitha tokat e banuara prej
Shqiptarëvet në vilajetet otomane. Nëqoftëse kjo do t'ishte e pamundur, sepse fqinjët
ballkanikë i kishin pushtuar disa nga ato toka dhe në lindje e në jugë kishte përzierie
grupesh ethnike, shteti shqiptar mund të delte me kufij më të ngushtë, mjaft sa të
qëndronte më këmbë. Natyrisht, duke pasur si qëllim kryesor mprojtjen e bregut të
detit, kufijt e Shqipërisë nga ana e lindjes nuk ishin të një interesi jetësor për
Monarkinë austro-hungareze, prandaj mund të vihëshin në bisedim. Njëkohësisht
qarqet e Vienës mendonin se Malit-të-Zi mund t'i lihëshin malësitë shqiptare me
popullsi katolike, mund t'i lihej edhe Shkodra nëqoftëse do t'a pushtonte, por me kusht
që ai t'i njihte Austrisë një ndreqje të kufijvet pranë grykavet të Kotorrit dhe të bënte
me të disa lidhje doganore.

Këtë plan, diplomacia austriake ia njoftoi më parë Gjermanisë, më 30 Tetor, dhe


pastaj Italisë, më 3 të Nëntorit. Gjermania e pranoi menjëherë. Kurse me Italinë, e cila
ishte barabar e interesuar në bregun lindor t'Adriatikut dhe të detit Jon, çështja duhej
rrahur më gjatë. Ministri austriak i Punëve të Jashtëme, Berchtold-i, sipas
marrëveshjes që vazhdonte me kohë midis dy palëvet, i kërkoi Romës, më 17 të
Nëndorit, një shkëmbim mendimesh në lidhje me caktimin e kufijvet dhe organizimin
e brendshëm të Shqipërisë, mbasi u pa qartas që statu quo-ja në Ballkan nuk mund të
mbahej. Sipas Berchtold-it, tokat e banuara prej Shqiptarëvet ose ku këta përbënin
shumicën duhej t'i njihëshin Shqipërisë, por Kosovën e kishte pushtuar Serbia dhe nuk
mund t'i merrej, prandaj do t'i mbetej asaj. Nga juga, kufijtë e Shqipërisë duhej
t'arrinin gjer në lumin Kallama, n'Epir. Sa për Malin-e-Zi, mendimi i parë ishte që t'i
lihej Shkodra nëqoftëse do t'a pushtonte, por pastaj Austri e Itali u kujtuan se Shkodra
ishte qendra e katolikizmit shqiptar dhe kishte një rëndësi jetësore për Shqipërinë.
Mbasi u pa se autoriteti i Turqisë në Ballkan humbi, Berchtold-i mendonte që
Shqipëria të bëhej një principatë e pavarur, me një princ që të mos ishte i asnjërës nga
të tri fetë e vendit. Keto mendime u pranuan edhe prej Italisë.

Rusia, nga ana tjetër, e kishte kuptuar mirë që Austria s'hiqte dorë gjer në fund nga
interesimi për bregdetin shqiptar dhe se një copë Shqipëri do të bëhej, por desh t'i
siguronte Serbisë një dalje n'Adriatik, të paktën skelën e Shën-Gjinit. Gjatë muajit të
Nëntorit diplomacia ruse u përpoq në këtë drejtim, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e
Italisë, pastaj të Gjermanisë, pranë qarqevet të Vienës, por më kot. Më në fund Rusia
kërkoi përkrahjen e aliatëvet të saj, Anglisë dhe Francës, për daljen e Serbisë
n'Adriatik, por Austro-Hungaria ishte e vendosur të shkonte gjer në një luftë për
bregdetin shqiptar. Kur ushtëria serbe, duke përparuar nëpër Shqipëri, iu qas
Adriatikut dhe desh t'a vinte Austro-Hungarinë përpara një pune të kryer, Viena ia
kujtoi kryeministrit Piashiç se po loste me zjarr.

Një përpjekje me armë ndërmjet Austro-Hungarisë, prapa së cilës qëndronte


Gjermania, dhe Serbisë që ndihmohej nga Rusia, mund të shkaktonte luftën e
përgjithshme, siç ngjau dy vjet më vonë. Rusia nuk ishte akoma gati, prandaj filloi t'a
ulte zërin dhe t'a këshillonte Serbinë që të tregohej m'e matur.

Për të zgjidhur problemet që nxori Lufta ballkanike, fuqitë e mëdha nisën të mendonin
mbledhjen e një konference ndërkombëtare.

Në Shqipëri, ushtëritë armike përparonin nga veriu, nga lindja dhe nga juga, duke i
shtirë popullit tmerrin me vrasje, djegie e plaçkitje. Me mijëra Kosovarë dhe malësorë
ishin shpërngulur prej vatravet të tyre dhe fshihëshin pyjevet ose iknin nga të mundnin
për të gjetur shpëtim.

Më 5 Nëntor, Ismail Qemali merrte pjesë në një mbledhje që mbajti kolonia shqiptare
e Bukureshtit, e cila përpiqej të bënte diçka në shërbim t'atdheut. Si masa më të
shpejta, mbledhja mendoi të formohej njëkomitet drejtonjës për të marrë në dorë
qeverimin e Shqipërisë, dhe të dërgohej një komision n'Evropë për të mprojtur përpara
fuqivet të mëdha "të drejtat kombëtare e vendore të popullit shqiptar". Një komitet
ndihmës do të formohej në Bukuresht për të bashkërenditur vepërimet e komitetevet të
tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Pas këtyre vendimeve, Ismail Qemali u nis për n'Austri bashkë me Luigj Gurakuqin,
Pandeli Calen dhe Dom Nikollë Kaçorrin, të cilët do t'a prisnin në Trieshtë, ndërsa ai
vetë shkoi në Vienë. Që në pjekjet e para me diplomatët austriakë, Ismail Qemali u
sigurua se Shqipëria do të përkrahej. Ai çfaqi mendimin se do të mblidhte në Vlorë
një kuvend kombëtar, i cili do të vendoste mbi formën e qeverimit të Shqipërisë dhe
do t'iu drejtonte fuqivet të mëdha një memorandum me kërkesat e popullit shqiptar.
Në Vienë, Ismail Qemali u takua edhe me ambasadorët e Anglisë e t'Italisë, të cilëve
iu çfaqi pikëpamjet e tija në lidhje me Shqipërinë, iu kërkoi përkrahjen e qeverivet të
tyre dhe iu tregoi se populli shqiptar ishte i vendosur t'a mpronte tërësinë e atdheut
gjer në pikën e fundit të gjakut. Në fillim, Ismail Qemali nuk ishte akoma i qartë nëse
Shqipëria do të bëhej shtet autonom apo i pavarur. Por pas takimit që pati në Budapest
me Berchtold-in, ministrin e Punëve të Jashtëme t'Austro-Hungarisë, mendimet u
sqaruan më mirë: Turqia ishte thyer e shkatërruar, fjala "autonomi" s'kishte më
kuptim, prandaj Shqipëria do të shpallej e pavarur.

Më 17 Nëntor, Ismail Qemali dërgoi telegram në Vlorë se për së shpejti do t'arrinte në


Durrës, prandaj duhej thirrur sa më parë kuvendi kombëtar. Të nesërmen u lajmëruan
telegrafisht qytetet e Shqipërisë që të dërgonin përfaqësonjësit e tyre në Vlorë. Lëvizja
për një mbledhje të krerëvet shqiptarë kishte nisur përpara kësaj date. Disa
përfaqësonjës prej Kosove dhe krahinash të tjera kishin ardhur në Tiranë.

Qarkullimi në Shqipëri nuk ishte edhe aq i lehtë. Grekët kishin zbritur në Himarë, më
19 Nëntor, dhe flota e tyre ndodhej përpara Vlorës. Serbët kishin shkelur Mirditën,
Matin dhe, më 18 Nëntor, arritën në Lesh. Që këtej, një pjesë t'ushtërisë ia drejtuan
Shkodrës, për t'iu ndihur Malazezvet, dhe pjesën tjetër Durrësit. Kurse armata serbe
që luftonte në Maqedoni, pasi pushtoi Manastirin më 18 Nëntor, e nisi një pjesë të
forcavet nga ana e Ohrit drejt Shqipërisë së Mesme. Jo vetëm ushtëritë armike, po
edhe autoritetet turke që kishin mbetur nëpër qytetet e Shqipërisë së pashkelur i
pengonin shqiptarët atje ku mundnin.

Ismail Qemali u nis nga Trieshta me shokët e vet më 19 Nëntor dhe më 21 arriti në
Durrës, mbasi Vlora ishte blokuar prej flotës greke. Mendimi i parë i tij ishte që t'a
shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Durrës. Por aty gjeti pengime jo vetëm nga ana e
autoritetevet turke, po edhe nga dhespoti grek i Durrësit, Jakovos, i cili "nuk njihte as
nuk nderonte tjetër flamur përveç atij të Turqisë". Kjo tregon se në ç'gjendje ishte
kombi i ynë atëhere, kur një Grek i djallëzuar e bark-vozë kumandonte Shqiptarët
orthodoks të Durrësit.

Bashkë me delegatët e Shqipërisë së Mesme dhe ata pakë që përfaqësonin Kosovën,


Ismail Qemali u nis për në Vlorë ku arriti më 26 të Nëntorit. Pritja që i bëri qyteti i
vendlindjes ishte një enthusiazëm i zjarrtë. Siç thotë ai vetë në Kujtimet e tija, "Një
zjarr i shënjtë atdhetarie kishte pushtuar qytetin e vendlindjes sime dhe populli më çdo
anë na përshëndeste me enthusiazëm e gëzim".

Ndonëse nuk kishin arritur akoma të gjithë përfaqësonjësit e vendeve të ndryshme


(disa erdhën pas shpalljes së pavarësisë), kohët nuk prisnin, ushtëria serbe po iu qasej
Durrësit dhe Elbasanit. Prandaj Kuvendi Kombëtar u hap më 28 Nëntor me ata
delegatë që ndodhëshin, gjithësejt tridhjeteshtatë, nën kryesinë e Ismail Qemalit. Ky
foli shkurtazi mbi të kaluarën e Shqipërisë, mbi gjendjen dhe rrethanat e çastit, tregoi
se Shqiptarët kishin marrë pjesë në këtë luftë jo si ushtarë të Turqisë, por si zotër të
vendit dhe për të mprojtur vetvehten. Tani s'kishte mbetur tjetër udhë shpëtimi veçse
ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Dhe propozoi që të shpallej pavarësia kombëtare, të
formohej një qeveri e përkohshme, të zgjidhej një pleqësi (senat) për të ndihmuar e
mbikqyrur qeverinë, të dërgohej një komision n'Evropë për të mprojtur të drejtat e
Shqipërisë përpara fuqivet të mëdha.

Këto propozime u pranuan me një zë nga Kuvendi. Qeveria e përkohshme u formua


nën kryesinë e Ismail Qemalit. Pastaj u zgjodh një pleqësi prej tetëmbëdhjetë vetash.
Si në qeveri ashtu edhe në pleqësi u shikua me kujdes që të bënin pjesë atdhetarë prej
të tri fevet dhe nga e tërë Shqipëria.
Vendimi i shpalljes së Pavarësisë përmblidhej në pak rreshta: "Pas fjalëvet që tha Z.
Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot
Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vehte,
e lirë e e mosvarme".

Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj shpalljeje, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali


ngriti në Vlorën trime Flamurin lavdimadh të Skënderbeut, Flamuri i aq luftave, i aq
gjaku të derdhur, i aq rektimave dëshmorësh, i aq vegimeve idealistësh dhe i aq
shpresave për në t'ardhmen.

XXIV
Shqipëria u zgjua vonë dhe, si organizim shtetëror, të cilin po e fillonte tani, ndodhej
njëqind vjet më pas nga fqinjët e saj ballkanike. Nuk kishte as njësim politik, as
administratë të përqendruar, as ushtëri, as arësim, as institute të larta, as industri, as
teknikë, as kuadra, as bujqësi të përparuar, as mjete qarkullimi, as hekurudhë, as rrugë
automobili, asgjë nga format organizative e teknologjike të qytetërimit modern.
Turqia s'kishte bërë asnjë ndërtim, vendi kishte mbetur si gjë e shkretë në natyrë.
Atëhere si do t'iu qëndronte armiqve të jashtëm, të cilët ishin më t'organizuar, më të
pajisur e më të fortë, dhe si do të vihej në rrugë me popujt e tjerë?

E pamë se çfarë energjie treguan Shqiptarët në kohën e Skënderbeut. Të njëjtën


energji dëftyen më vonë në shërbim të Turqisë dhe të Greqisë. Por, ndonëse nga ana
organizative dhe teknologjike e qytetërimit kishte mbetur më pas se sa në Kohën e
Mesme, populli shqiptar ishte akoma mjaft i fortë në fillim të shekullit XIX. Do t'ishte
dashur të delte shtet më vehte atëhere, kur dolli principatë autonome Serbia dhe
mbretëri e pavarur Greqia. Forca nuk i mungonte, se Kara Mahmud Bushati dhe Ali
Pashë Tepelena tundën Ballkanin. I mungonte vetëm bashkimi dhe vetëdija e lartë
kombëtare. Pati edhe një rast tjetër, në kohën e Lidhjes së Prizrendit. Pastaj populli
shqiptar "e humbi autobusin" dhe mbeti i dënuar të xvarrisej në këmbë, tërë pluhur,
djersë e gjak, prapa rrotavet të shpejta t'autobusit të të tjerëvet.
Përse nuk e bëri dot atë që bënë kombet fqinjë, domethënë të delte shtet autonom, e
pastaj i pavarur, që në fillim ose nga gjysma e shekullit XIX?

Ne Shqiptarët, për të qetësuar ndërgjegjen, kemi gjetur një alibi: Për të gjitha mjerimet
tona, ua hedhim fajin të huajvet: ata na e kanë bërë ashtu, ata na kanë shtypur kështu.
Me këto fjalë, e fshehim kokën në rërë si struthi dhe bjemë në fashë. Por, me sa tregon
historia, as një komb nuk ka qënë krijuar prej të huajvet. Popujt e huaj, kur janë më të
fortë, shtrihen për aq sa mundin në kurris të popujvet më të dobët, dhe shpeshëherë
duke i zhdukur këta; sikurse kanë qënë zhdukur shumë popuj të vjetër t'Evropës,
t'Afrikës, t'Azisë dhe, më vonë, Hindianët e Amerikës. Ky është ligji themeltar i
natyrës dhe i jetës: peshku i madh e ha të voglin, bima m'e lartë e than atë më t'ultën.
As një moral, as një fe s'ka mundur gjer më sot t'a ndryshojë këtë ligj. A nuk ishte
skllavëria, gjer dje, e pranuar prej fevet? Në natyrë, çdo qenie e gjallë zë aq vend sa
forcë ka. Në botën e bimëvet e të kafshëvet, familjet, gjinitë, llojet, dhe në botën e
njerëzvet, fiset, kombet, shtetet, ose klasët shoqërore, jetojnë e mbahen krahas njëri-
tjetrit në bazë t'ekuilibrit të forcavet dhe jo prej mëshirës a parimeve të moralit.
Atëhere, përse të huajtë më të fortë duhej të bënin një përjashtim për Shqiptarët e të
mos i trazonin? Duket se kemi mbetur akoma çiliminj nga gjykimi, qyshse vështrojmë
gjithmonë mbi të tjerët dhe s'jemi të zotët t'a këthejmë një çast shikimin përbrenda
vehtes sonë. Të huajtë s'mund të mos i bënin ato që kanë bërë kundër nesh. Por ne
vetë duhej të lidhëshim, t'organizohëshim, të forcohëshim (ashtu si kanë vepëruar ata
që janë më të fortë), për t'iu qëndruar me grusht hundëvet ndërhyrjevet të huaja.

Është e vërtetë që Shqipëria ndodhet në një trevë gjeografike ku janë kryqëzuar


gjithmonë rrugët ndërmjet Perëndimit e Lindjes si edhe ato që zbresin nga Evropa
qendrore. Por kjo pozitë mund t'ishte e dëmshme ose e dobishme sipas forcës së
kohezionit që do të tregonte populli i atyshëm. Sikur stërgjyshët tonë të largët të
kishin mundur t'organizohëshin në një shtet, në një perandori, siç bëri Roma, mund t'a
kishin ndryshuar rrjedhën e historisë, duke e bërë ata vetë ligjin në Ballkan e në
Mesdheun e Lindjes; mund të kishin zëvendësuar Romën, Bizantin, mund t'iu kishin
qëndruar Sllavëvet e, më vonë, Turqvet. A nuk pushtoi botën Aleksandri i Madh duke
u nisur me forcat e Maqedonasvet? "Sikur perandorët grekë të kishin qënë
Skënderbenj, Perandoria e Lindjes do t'ishte mbajtur", mendonte Voltaire-i

Stërgjyshët tonë të largët s'e bënë dot atë punë, sepse thyerja gjeografike e vendit, në
male e lugina të mbyllura, i pengoi që të delnin nga gjendja e ndarjes në fise për të
formuar një strukturë shtetërore më të lidhur. Ndoshta për të njëjtat arësye nuk krijuan
dot as një kulturë të lartë letrare që të rrinte krahas me kulturat helenike e latine. Dhe
mbasi fjala komb ose kombësi don të thotë deri diku kulturë, kombësia shqiptare mbeti
e shpërndarë, e zgidhur, e pa-zonja për të formuar një shtet, e dënuar që të sundohej
prej të tjerëvet dhe të varej prej qendrash politike e kulturore të jashtëme. Në gjysmën
e dytë të shekullit XIV, dhe sidomos në të XV-in, me Skënderbén, kombi shqipar bëri
përpjekje të mëdha për t'u njësuar, për të formuar një bashkësi politike e shtetërore.
Por, pas vdekjes së Herojt, u përça më tepër akoma dhe, përveç ndarjes në krahina, u
krijuan në të tri rryma shpirtërore: një pjesë varej me ndjenja nga Lindja islamike, një
pjesë tjetër nga helenizmi dhe, pjesa m'e vogël, nga Perëndimi. Duke mos pasur
Shqiptarët një kulturë kombëtare epërore ku të pajtohëshin të trija fetë - siç ngjan tek
popujt e qytetëruar të botës - zunë të shikohëshin midis tyre si vëllezër prej njerke, për
të mos thënë më tepër. N'ato kondita, nuk ishte e vështirë për të huajtë që t'i shkelnin e
t'i përdornin si të donin. Mjaftonte një çallmë hoxhe a një kamillaf prifti, një xhybe e
zezë apo e murrme, për t'i sjellë vërdallë si shpezët që tremben nga dordoleci.
Mungesa e një vatre kulturore e shpirtërore të brendëshme, zakoni që kishin marrë me
shekuj të vështronin drejt qendrash politike e fetare të jashtëme, u a patën hequr
Shqiptarëvet jo vetëm besimin, po edhe idenë se mund të formonin një shtet më vehte.
Bushatlinjtë dhe Ali Pashë Tepelena nuk e patën konceptin e një shteti shqiptar në
kuptimin ethnik të fjalës. Ata deshën të krijonin për vehte të tyre nga një principatë ku
përfshihëshin kombësi të ndryshme: Shqiptarë e Grekë, në jugë, Shqiptarë e Sllavë, në
veri.

Ideja që Shqiptarët të mund të formonin një shtet më vehte ishte aq e zbetë, aq pak e
besuarshme, sa që edhe udhëheqësit më të shquar të Rilindjes nuk shkonin përtej
caqevet t'autonomisë. Shumë prej tyre kërkonin vetëm disa reforma, sidomos futjen e
gjuhës shqipe nëpër shkollat, si pikënisje e zgjimit kombëtar. Ismail Qemali, deri sa
vajti në Vienë, nuk e kishte akoma të qartë nëse Shqipëria do të shpallej shtet autonom
apo i pavarur. Kjo mungesë besimi në vetvehte shpjegon edhe përse të gjitha lëvizjet
dhe kryengritjet e Shqiptarëvet, në planin kombëtar, dështuan njëra pas tjetrës: hyjnë
kryengritësit në Shkup dhe s'guxojnë të marrin pushtetin. Asnjë vepër e madhe nuk
mund të kryhet pa një besim të patundur në fund të vetëdijës. Dhe ky besim s'kish sesi
t'ishte, kur Shqiptarët ndjenin një kompleks inferioriteti, të rrënjosur prej shekujsh,
ndaj qendravet politike e kulturore të jashtëme. Kur e dinin se përbrenda tyre disa
shikonin nga Stambolli, disa nga Athina, disa nga Viena ose nga Roma, dhe se
bashkimi i të gjithëve ishte shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Që të lindte
besimi ose të zhdukej kompleksi - të dy skajet tregojnë të njëjtin fenomen psikik -
duhej një punë e gjatë, e duruarshme, një ndërmarrje njerëzish të fortë ose apostujsh, e
cila nuk ishte plotësuar dot gjer më 1912 (e si do të plotësohej në tridhjetë vjet?), nuk
është plotësuar akoma gjer më sot, ndonëse ka bërë mjaft përparim. Duhej dhënë
prova se Shqiptarët ishin të zotët të bashkohëshin, t'organizohëshin, të
vetqeverisëshin; se ishin të zotët të ndërtonin, të zhvillohëshin, n'anën e ekonomisë e
të lidhjevet shoqërore; të përparonin, të krijonin, në lëmin e letërsisë, t'artevet e të
shkencavet; të lartësohëshin, n'anën e mendimit. Duhej forcuar besimi tek njëri-tjetri:
Myslimanë e të Krishterë ishin vëllezër të një gjaku, të një gjuhe. Dhe se gjuha shqipe
ishte aq'e ëmbël sa gjuhët më t'ëmbla: në të mund të përkëthehëshin Ungjilli e Kurani,
dhe çdo kryevepër botërore; në të mund të mbruhej kultura m'e bukur e m'e lartë. Në
këtë mënyrë duhej kthyer shikimi i Shqiptarëvet, prej qendravet të jashtëme, brenda
në vatrën kombëtare. Duhej ngjallur ndër ta, jo vetëm dashuria dhe nderimi, po edhe
besimi në Shqipërinë, siç e ka Danezi në Danimarkën, Holandezi në Holandën etj.
Shkurt, nëpërmjet të zhvillimit, të lartësimit të kulturës dhe të zgjimit të vetëdijës,
duhej krijuar ajo mistikë kombtare që Vaso Pasha e shprehte në një varg: "Feja e
Shqyptarit asht Shqyptarija!"

Natyrisht, sikur populli shqiptar të kishte pasur përkrahjen e jashtëme, sikur t'ishte
pranuar prej Austrisë dhe pastaj prej fuqivet të tjera plani që paraqiti Lordi
Fitzmaurice më 1880, kufijtë e Shqipërisë ethnike do të kishin qënë caktuar e njohur
që atëhere. Autonome, Shqipëria do të kishte pasur kohë të zhvillohej, të krijonte
strukturën e saj shtetërore - me administratë të përqendruar, ushtëri, arësim, ndërtime
botore, ekonomi - si edhe lidhjet politike të jashtëme; kështu që furtuna e vitit 1912
nuk do t'a kishte gjetur ashtu si e gjeti, dhe ndoshta s'do t'ishte përplasur fare kundër
saj. Edhe në kohën e reformavet të Maqedonisë, më 1903-1904, sikur të kishte dashur
Austro-Hungaria që tokat shqiptare të mblidhëshin në një tërësi të vetëme dhe të
përfshihëshin në të njëjtin program reformash - siç qe mendimi i Italisë, i pranuarshëm
edhe prej opinionit britanik - fati i Shqipërisë mund të kishte rrjedhur ndryshe. Por
këtë përkrahje kombi i ynë nuk e pati. Austro-Hungaria u çua kur gjendja në Ballkan
ishte përmbysur, kur tokat shqiptare ishin shkelur, kur Serbia po delte në Durrës dhe
Greqia në Vlorë. A kishte kohë tani që Shqipëria të shpëtonte nga rreziku e të mbetej
e pacënuar? Këtë gjë do t'a shohim më poshtë.

Qeveria e Vlorës ua njoftoi shpalljen e pavarësisë fuqivet të mëdha si edhe shtetevet të


Ballkanit, duke kërkuar që ushtëritë e këtyre të largohëshin nga tokat e Shqipërisë, e
cila dëshironte paqen dhe shkuarjen e mirë me fqinjët.

Fuqitë që iu përgjigjën kësaj thirrjeje dhe që i premtuan përkrahjen qeverisë së Vlorës


ishin Austro-Hungaria dhe Italia. Por gjendja në Shqipëri ishte një tollovi e vërtetë.
Ushtëritë serbe e greke përparonin. Turqia nuk e njihte pavarësinë e këtij vendi,
prandaj autoritetet turke, në qytetet e pashkelura, nuk donin t'u a lëshonin fuqinë
Shqiptarëvet. Duke mos pasur më rezerva ushqimore, forcat turke zunë t'i hiqnin
popullit edhe kafshatën e bukës. Qeveria e Vlorës kishte mbetur e rrethuar në një zonë
fort të ngushtë. Ushtëritë armike vazhdonin përparimin. Flota greke, që ndodhej
përpara Vlorës, kishte prerë edhe kabllon telegrafike që lidhte Shqipërinë me Italinë
dhe me botën e jashtëme. T'ardhurat financiare dhe mundësitë ushtarake të qeverisë së
Vlorës ishin fare të paka. Megjithatë, ajo u përpoq të bënte ç'mund të bëhej. Duke
ruajtur përkohësisht të njëjtën forme administrate, emëroi Shqiptarë në vend të
nëpunësve turq. Ismail Qemali i bëri thirrje popullit t'Elbasanit, të Korçës, të Kosturit,
që të mpronte vendin kundër shkeljes s'armiqvet. Një forcë e vogël vullnetarësh u
dërgua në Llogara për të ndaluar përparimin e ushtërisë greke nga ana e Himarës. Por
Serbët arritën në Durrës, n'Elbasan, dhe zunë vijën e Shkumbinit. Aty u ndalën, se
pjesët e Shqipërisë në jugë të Shkumbinit i shikonin si zonën e interesavet greke.
Kurse Grekët, duke e mbajtur Janinën të rrethuar, u futën në Shqipëri edhe nga ana e
Maqedonisë, në gjysmën e dytë të Dhjetorit, dhe pushtuan Follorinën, Kosturin,
Nestramin, pastaj tërë krahinën e Korçës. Shkodra u rrethua prej Malazezvet dhe
Serbëvet. Një pjesë e forcavet që mpronin Janinën dhe Shkodrën përbëhej prej
Shqiptarësh.

Nga mbarimi i vitit 1912, qeverisë së Vlorës, përtej këtij qyteti, nuk i mbetëshin veçse
Fieri, Lushnja, Berati dhe, në jugë, Gjirokastra. Po edhe në këto vende, një pjesë të
fuqisë e ushtronin autoritetet turke, të cilat nuk donin t'ua lëshonin vendin
Shqiptarëvet.

Ndërkaq, një luftë politike e ashpër vazhdonte midis fuqivet të mëdha për çështjen e
Ballkanit, veçanërisht ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë. Kjo e fundit kërcënoi se
do të ndërhynte me ushtëri nëqoftëse nuk merrëshin parasysh interesat e saja, dhe
vazhdoi të sillte forca në kufijtë e Serbisë. Frika e një lufte të përgjithshme detyroi
Rusinë dhe aliatët e saj që të pranonin, në parim, krijimin e një Shqipërie autonome.
Për të forcuar këtë ide, e cila filloi t'iu hynte në kokë edhe Ballkanikëvet, lozi një rol
deri diku qëndresa e Shqiptarëvet dhe shpallia e pavarësisë në Vlorë. Por puna ishte se
gjer ku do të shtrihëshin kufijtë e këtij shteti "autonom".

Nismën e mbledhjes së një konference ndërkombëtare për të rregulluar çështjet e


Ballkanit e mori Anglia. Ambasadorët e fuqivet të mëdha u mblodhën në Londër, më
17 Dhjetor 1912, nën kryesinë e ministrit britanik të Punëve të Jashtëme, Sir Edward
Grey. Kjo ishte e famshmja Konference e Londrës që njohu pavarësinë e Shqipërisë
dhe caktoi kufijtë e saj gjatë vitit 1913. Qysh në mbledhjen e parë, u pranua që
Shqipëria të përbënte një shtet autonom nën mvarësinë e Sulltanit dhe nën garantinë e
mbikqyrjen e fuqivet të mëdha. Ky kusht, i propozuar prej Rusisë, u përkrah edhe nga
Italia, mblasi kishte për qëllim të kufizonte ndërhyrjen e Austro-Hungarisë në
Shqipëri. Ndonëse qeveria e Vlorës kishte shpallur pavarësinë dhe këthimi n'autonomi
nuk i pëlqente, çështja kryesore për të ishte ajo e kufijvet ku u përqëndruan të tëra
përpjekjet e saja.

Në Konferencën e Londrës qeveritë e shtetevet të Ballkanit nuk u përfaqësuan, por


kërkesat e tyre i paraqitën me anë memorandumesh, duke i shtrirë "të drejtat" mbi të
gjitha tokat që kishin pushtuar ushtarakisht. Në Londër vajti edhe një dërgatë
shqiptare, e përbërë prej Mehmet Konicës, Filip Nogës dhe Rasim Dinos, por nuk u
dëgjua fare veçse i paraqiti Konferencës memorandumin e qeverisë së Vlorës. Pasi
tregonte se populli shqiptar, me kryengritjet e tija të paprera kundër Turqisë, kishte
dhënë një ndihmesë të pamohuarshme në fitoren e shtetevet ballkanikë, memorandumi
kërkonte njohjen e kufijvet ethnikë të Shqipërisë dhe pavarësinë e plotë të saj.
Kërkesavet shqiptare iu dolli zot Austro-Hungaria, e cila përkrahej prej Gjermanisë
dhe kishte n'anë të saj Italinë. Kurse Aliatët ballkanikë, për qëllimet grabitqare të tyre,
gjenin mprojtjen e Rusisë dhe të Francës. Me këto të dyja bashkohej nganjëherë edhe
Anglia, si pjesëtare e Entente-ës, por në një mënyrë më të matur. Ndonëse prirej nga
aliatët e vet, qëndrimi i Anglisë ishte deri diku i paanshëm dhe pajtonjës ndërmjet dy
palëvet.

Austro-Hungaria, me pëlqimin e Italisë e të Gjermanisë, dhe Rusia, me pëlqimin e


Francës, i paraqitën Konferencës, më 20 Dhjetor 1912, nga një hartë të vizatuar me
kufijtë e Shqipërisë. Natyrisht, njëra hartë shënonte kufij më të gjerë dhe tjetra sa më
të ngushtë. Duke e lënë jashtë pjesën më të madhe të Kosovës dhe të Maqedonisë
shqiptare, harta e paraqitur prej Austrisë niste, në veri, nga gryka e Buenës, ndiqte
kufirin e Malit-të-Zi gjer afër Rrzhanicës, i linte atij Gucinë dhe Plavën, por i njihte
Shqipërisë Pejën, Deçanin, Gjakovën, Prizrendin; pastaj vija e kufirit zbriste nga juga
duke rrokur përbrenda Dibrën e Madhe, Strugën, Ohrin; kalonte mandej ndërmjet
liqenevet t'Ohrit e të Prespës dhe delte në Greqinë e sotshme duke përfshirë brenda
Shqipërisë një pjesë të rrethevet të Kosturit e të Grebenesë, Janinën dhe pjesën më të
madhe të Çamërisë përkëtej rrjedhës së lumit Kallama deri në detin Jon.

Kurse plani i Rusisë, përveç pjesëve të tjera, linte jashtë Shqipërise, në veri:
Shkodrën, Kukësin dhe malësitë e tyre; në lindje: Dibrën, Strugën, Ohrin Pogradecin
dhe Korçën; në jugë: Delvinën dhe Sarandën.

Për të rënë n'ujdi mbi një vijë kufiri ndërmjet këtyre dy planeve, sidomos nga ana e
veriut dhe e veri-lindjes, përfaqësonjësit e Rusisë dhe t'Austro-Hungarisë u hëngrën
ashpër gjatë dimrit 1913. Konferenca (domethënë Rusi, Francë e Angli) nuk e pranoi
propozimin austriak, as desh të merrte vesh për karakterin ethnik të krahinavet
shqiptare. Ndonëse në popullsinë e Shkodrës, për shembull, nuk kishte asnjë
Malazias, Konferenca desh t'ia njihte atë qytet Malit-të-Zi. Për çështjen e Shkodrës
pati bisedime aq të nxehta sa që filloi të përkulej edhe Italia. Qëndrimi i patundur i
Austro-Hungarisë e shpëtoi kryeqytetin e Teutës, por duke lëshuar në veri e në lindje
pjesën e Kosovës dhe të Maqedonisë.

Gjatë kësaj kohe, Janina dhe Shkodra po i qëndronin trimërisht rrethimit. Qeveria e
Vlorës bëri përpjekje për t'iu ardhur në ndihmë, por s'kishte as mjete, as rrugë të
hapura, sepse Grekët ishin futur në krahinat e jugës dhe Serbët kishin zbritur gjer në
Shkumbin. Kumandari i garnizonit turk të Janinës, ku shërbenin edhe shumë
Shqiptarë, ishte Esad Pashë Janina, një Shqiptar i turqizuar. Qeveria e Vlorës hyri në
marrëveshje më këtë për t'a bindur që të ngrinte flamurin e Shqipërisë duke i premtuar
ndihmë porsa t'ishte në gjendje. Por ky s'desh ose s'mundi t'a vazhdonte qëndresën,
dhe ua lëshoi Janinën Grekëvet më 6 Mars 1913. Atëhere forcat greke t'Epirit shkelën
tërë Çamërinë dhe u derdhën në Shqipërinë e jugës, pushtuan Gjirokastrën, Përmetin,
Këlcyrën, Tepelenën, duke plaçkitur e vrarë popullsinë myslimane ngado që shkonin.

Ushtëritë serbo-malazeze e kishin rrethuar Shkodrën nga mbarimi i Nëntorit 1912.


Gjatë Dhjetorit t'atij viti dhe Jenarit të 1913-ës, u zhvilluan luftime të përgjakshme
ndërmjet mprojtësvet të qytetit dhe ushtërivet rrethonjëse, në malin e Taraboshit, në
kodrat e Beltojës, të Bërdicës e të Bardhanjorëve, si edhe në fushën e Shtojit.
Kumandari i mprojtjes së Shkodrës ishte gjenerali i divizionit turk, Hasan Riza Pasha,
i cili vendosi t'a vazhdonte qëndresën edhe pasi Turqia iu kërkoi armëpushimin
shtetevet ballkanikë, më 3 Dhjetor 1912. Por aty luftonin edhe trupa rezervistësh
shqiptarë nën kumandën e gjeneral Esad Pashë Toptanit, si edhe vetë qytetarët
shkodranë. Parësia e Shkodrës, e cila ishte në lidhje me qeverinë e Vlorës, kërkoi nga
kumandari turk Hasan Riza Pasha që të vazhdonte qëndresa n'emër të Shqipërisë së
pavarur. Ai nuk e kundërshtoi këtë mendim sepse kishte nevojë për ndihmën e
Shqiptarëvet, dhe ndoshta e kuptonte që Turqia s'mund të sundonte më në Shqipëri.
Por të tjera plane kishte në kokë Esad Pashë Toptani. Ky nuk e njihte qeverinë e
Vlorës as desh të dëgjonte kur ajo i bëri thirrje, me anën e një letre të njerëzishme, që
të ngrinte në Shkodër flamurin kombëtar. Më në fund Esad Toptani e vrau me të
pabesë Hasan Riza Pashën dhe, si i dyti në gradë, e mori vetë kumandën e forcavet
ushtarake të Shkodrës.

Ndërkaq, Serbia dhe Mali-i-Zi po e shtrëngonin rrethimin duke sjellë trupa të reja. Një
ushtëri serbe prej lart nga 20.000 vetash, e pajisur me artileri të rëndë, u derdh në
kodrat e Bardhanjorëvet dhe rreth telavet të Fushës së Shtojit. Kurse forcat e Malit-të-
Zi i kumandonte vetë Krajl Nikolla i cili, për të marrë Shkodrën, kishte vendosur të
luftonte gjer në fishekun e fundit.

Por fati i këtij qyteti do të vendosej në Konferencën e Londrës. Me ndërmjetësinë e


ministrit britanik të Punëve të Jashtëme, Sir Edward Grey-t, u arrit një marrëveshje
ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë për kufijtë e Shqipërisë së veriut e së lindjes, e
cila u pranua prej Konferencës më 22 të Marsit. Shkodra i mbetej Shqipërisë, por
Austria hiqte dorë nga Peja, Prizrendi, Dibra, Struga, Ohri dhe, pak më vonë, nga
Gjakova. Kështu, nga ana e veriut dhe e lindjes, u krye copëtimi i Shqipërisë i nisur që
me Kongresin e Berlinit. Pas disa muajsh, u krye edhe në jugë e në jugë-lindje. Porsa
që Shqiptarët nuk ishin në gjendje të mprohëshin vetë, ishte e kuptuarshme se fati i
vendit të tyre do të varej nga interesat e fuqivet të mëdha. Ajo që iu interesonte
Austro-Hungarisë dhe Italisë ishte mosdalja e Serbisë ose e ndonjë fuqie tjetër
n'Adriatik, sigurimi i kanalit t'Otrantos dhe mos-mbyllja e kanalit të Korfuzit,
domethënë bregdeti shqiptar prej Shkodre gjer në kep të Stillos. Shtrirja natyrore e
kombësisë shqiptare nga veriu, nga lindja dhe nga juga, nuk ishte e një interesi jetësor
për Vienën, e më pak akoma për Romën, prandaj këto s'mund t'i shtynin punët gjer në
rrezikun e një lufte për të shpëtuar Shqipërinë ethnike. U pa se shteti shqiptar do të
delte gjysmak si tokë e si popullsi. Por nuk mjaftonte as me kaq: për fat të keq, midis
Austro-Hungarisë dhe Italisë vazhdonte rivaliteti i vjetër në çështjen shqiptare. Secila
prej këtyre fuqive kërkonte të shtrinte ndikimin ose edhe sundimin e saj në Shqipëri.
Porsa u vendos, në parim, se do të kishte një shtet shqiptar autonom, grupet financiarë
të Vienës dhe të Romës u paraqitën menjëherë për të marrë konçesionin e krijimit të
Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe atë të shfrytëzimit të pasurivet kombëtare. Midis
këtyre dy fuqive, siç do t'a shohim më poshtë, pati edhe një plan të fshehtë ushtarak
për t'a pushtuar Shqipërinë nëqoftëse punët do të keqësohëshin.

Pas vendimit që u muar më 22 të Marsit për kufijtë e Shqipërisë së veriut e të lindjes,


fuqitë e mëdha kërkuan nga Serbia dhe Mali-i-Zi që të pushonin luftën dhe t'a ngrinin
rrethimin e Shkodrës. Këta nuk dëgjuan me të mirë. Atëhere fuqitë e mëdha, me
propozimin e Austro-Hungarisë dhe të Gjermanisë, kërcënuan duke dërguar një
skuadër detare, e cila arriti më 5 Prill përpara Tivarit. Serbia nuk donte të largohej më
parë se të nënshkruante paqen me Turqinë. Por, e trembur nga Austro-Hungaria se do
të hynte në sanxhakun e Novi-Pazarit, dhe e këshilluar nga Rusia, e ngriti rrethimin e
Shkodrës më 16 Prill. Kurse Krajl Nikolla i Malit-të-Zi, kokëfortë si gjithnjë, s'desh të
merrte vesh për kërcënimin e fuqivet të mëdha dhe vazhdoi rrethimin. Ai e dinte se,
pas tërheqjes s'ushtërisë serbe, nuk mund t'a merrte dot Shkodrën me forcë. Por i
kishte shpresat gjetkë: tek tradhëtia e Esad Toptanit. Esadi mendonte të bëhej
sundimtari i Shqipërisë (i asaj cope që do të mbetej), duke ndjekur rrugën më të lehtë:
bashkëpunimin me shtetet fqinjë dhe me përkrahësit e tyre, fuqitë e Entente-ës. Nuk e
hante malli për kufijtë, mjaft që t'i mbetej Shqipëri e Mesme. Mbasi kishte një forcë
në dorë, sepse pas vrasjes së Hasan Riza Pashës kumandonte edhe ushtërinë turke të
Shkodrës, desh t'a shfrytëzonte rastin. Për të siguruar miqësinë e Serbo-Malazezvet
dhe për t'u ndodhur sa më shpejt në Shqipërinë e Mesme, pranoi t'ia lëshonte
Shkodrën Malit-të-Zi, me kusht që të largohej lirisht me ushtërinë shqiptare e turke,
me armët dhe municionet. Trathëtia u nënshkrua më 22 Prill, dhe të nesërmen, më 23,
ushtëria malazeze hyri në Shkodër, pas gjashtë muajsh rrethimi, gjatë të cilit qyteti
historik, ndonëse i lodhur nga uria, ishte mprojtur me një trimëri të lavdishme, duke i
qëndruar artilerisë së rëndë e duke thyer të gjitha sulmet e tërbuara të Serbo-
Malazezvet.

Esad Toptani me të tëra trupat e Shkodrës, shqiptare e turke, erdhi e u vendos në


Tiranë e në Durrës kur ushtëria serbe ishte në tërheqje e sipër. Por ai tani ishte i lidhur
me Serbo-Malazeztë prandaj nuk gjeti asnjë pengim prej tyre dhe u vu të ngrinte një
administratë më vehte. Ky vepërim i Esadit e koklaviti edhe më tepër çështjen
shqiptare. Austro-Hungaria dhe Italia kërkuan menjëherë jo vetëm tërheqjen e Malit-
të-Zi nga Shkodra, po edhe largimin e trupavet turke t'Esad Toptanit nga Shqipëria.
Armiqtë e jashtëm, me Rusinë në krye, donin që ato trupa të mbetëshin aty, për të
krijuar sa më tepër pështjellim dhe për t'i shërbyer qëllimit rus që shteti shqiptar të
ngelte autonom nën mvarësinë e Sulltanit. Por Austro-Hungaria kërcënoi se do të
ndërhynte me ushtëri nëqoftëse nuk shtrëngohej Mali-i-Zi të lëshonte Shkodrën dhe
nuk gjendej mënyra e largimit të trupavet turke. Një marrëveshje e fshehtë u
nënshkrua ndërmjet Vienës dhe Romës, më 8 Maj, për t'a pushtuar Shqipërinë
ushtarakisht në rast nevoje: Austro-Hungaria pjesën veriore gjer në Shkumbin, dhe
Italia që në Shkumbin e poshtë.

Përpara këtij acarrimi të gjendjes, fuqitë e mëdha e shtrënguan Malin-e-Zi të tërhiqej.


Ushtëria malazeze e lëshoi Shkodrën më 14 Maj, pasi e plaçkiti mirë qytetin duke
djegur edhe pazarin. Qeverimin e Shkodrës e mori në dorë një komision ushtarak i
skuadrës ndërkombëtare, ndën kumandën e nënadmiralit anglez, Cecil Burney.

Gjatë muajit të Qërshorit, me ndërmjetësimin e fuqivet të mëdha. u larguan edhe


trupat turke nga Shqipëria.

Me 30 Maj 1913, u nënshkrua në Londër traktati i paqes ndërmjet Turqisë së mundur


dhe Aliatëvet ballkanikë. Neni 2 i këtij traktati shënonte vijën e tokavet që Sulltani iu
lëshonte shtetevet ballkanikë prej detit Egje deri në detin e Zi, me përjashtim të
Shqipërisë; në nenin 3, Sulltani ua linte në dorë fuqivet të mëdha caktimin e kufijvet
të Shqipërisë si edhe rregullimin e çdo çështjeje tjetër që kishte të bënte me atë vend.

Siç e pamë më sipër, Konferenca e Londrës, qysh në mbledhjen e parë të saj më 17


Dhjetor 1912, kishte vendosur në parim që Shqipëria t'ishte një shtet autonom nën
Sulltanin. Këtë propozim e kishin bërë fuqitë e Entente-ës, në radhë të parë Rusia, për
të penguar ndërhyrjen e Austro-Hungarisë në Shqipëri, dhe e kishte pranuar Italia për
të njëjtën arësye. Rusia kishte edhe qëllime të tjera që Shqipëria të mbetej e lidhur me
Turqinë: për t'a lënë si një vend mbi të cilin mund të bëhëshin rishikime, copëtime a
pazarllëqe më vonë. Austro-Hungaria nuk e kundërshtoi në fillim këtë propozim,
sepse ushtëritë turke po qëndronin në Shkodër e në Janinë dhe mund të vlenin si një
forcë për t'i siguruar Shqipërisë kufij më të gjerë. Por mbasi mori fund qëndresa e
tyre, s'kishte më arësye që Shqipëria të mbetej nën mvarësinë e Sulltanit. Nga ana
tjetër, marrëveshja e fshehtë ushtarake e 8 Majit ndërmjet Vienës dhe Romës e siguroi
Italinë se, në rast të një ndërhyrjeje me armë, ajo do të pushtonte gjysmën e
Shqipërisë. Kështu Austro-Hungaria dhe Italia i pajtuan pikëpamjet dhe kërkuan nga
Konferenca që Shqipëria të njihej shtet i pavarur. Këtë propozim e kundërshtuan
Rusia dhe Franca. Kjo e fundit nxirte si arësye se kombi shqiptar ishte akoma i
përçarë në krahina, fe e zakone, i papregatitur politikisht për të qënë shtet i pavarur,
prandaj duhej dërguar më parë një komisar i lartë dhe një komision kontrolli
ndërkombëtar të cilët, pasi të hetonin gjendjen e brendëshme, të vendosnin mbi
statutin dhe formën e administratës që i përshtatëshin atij populli. Qëllimi ishte që
Shqipëria të mbetej nën kontrollin ndërkombëtar, në mënyrë që të mos binte në dorë
t'Austro-Hungarisë dhe t'Italisë, po edhe fuqitë e Entente-ës të kishin mundësi
ndërhyrjesh e intrigash. Rusia, që kishte qenë mot e jetë në luftë me Turqinë, prekej
aq fort në ndërgjegje për të drejtat e Sulltanit sa që, pa pëlqimin e këtij, s'mund t'a
pranonte daljen e Shqipërisë si shtet i pavarur! Por Sulltani, më 30 të Majit, ua la në
dorë atë çështje fuqivet të mëdha. Më në fund, me këmbënguljen e Austro-Hungarisë
dhe t'Italisë, të cilat kërcënuan se do t'a rregullonin vetë atë punë, u pranua që
Shqipëria t'ishte shtet i pavarur, nën garantinë dhe kontrollin e përkohshëm të fuqivet
të mëdha.

Në mbledhjen e 29 Korrikut 1913, Konferenca e Londrës e njohu shtetin shqiptar të


pavarur dhe vendosi mbi statutin e tij. Shqipëria do t'ishte një principatë autonome e
sovrane dhe do të kishte në krye një princ me të drejta trashëgimore, i cili do të
caktohej prej fuqivet të mëdha. Shteti i ri shkëputej fare nga Turqia dhe do t'ishte
asnjanës, nën garantinë dhe kontrollin e gjashtë fuqivet të mëdha. Administrata civile
dhe financat e Shqipërisë, për një periudhë dhjetëvjetshe, do t'ishin nën mbikqyrjen e
një Komisioni ndërkombëtar, i përbërë prej delegatëvet të gjashtë fuqivet të mëdha
dhe prej një delegati shqiptar. Ky Komision do t'organizonte të gjitha degët e
administratës shqiptare, dhe afati i kontrollit të tij mund të zgjatej edhe për dhjetë vjet
të tjerë në rast nevoje. Princi i Shqipërisë do të zgjidhej brenda gjashtë muajve. Por
gjer sa të vinte ky dhe gjer sa të formohej një qeveri shqiptare definitive, autoritetet
dhe gjindarmëria e vendit do të vihëshin nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar.
Rendi dhe qetësia publike do të sigurohëshin nga një gjindarmëri e organizuar prej
oficerësh të huaj, që parashihej t'ishin Suedezë. Por mbasi Suedia nuk pranoi të
dërgonte oficerë në Shqipëri, u caktuan Holandezë.

Si shihet, pavarësia e Shqipërisë ishte sa për emër, sepse në të vërtetën ajo mbetej nën
kontrollin e fuqivet të mëdha për aq kohë sa t'a donin interesat e këtyre.

Shteti i ri nuk mund të mëkëmbej pa një ndihmë financiare të jashtëme. Austro-


Hungaria dhe Italia hynë menjëherë në bisedime me qeverinë e Vlorës për të marrë
koncesionin e krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e cila do të priste natyrisht
edhe bankënota. Ismail Qemali e pranoi këtë propozim pasi shkëputi disa të drejta në
përfitim të shtetit shqiptar, i cili do të merrte pjesë n'administrimin e Bankës dhe do
t'ushtronte një farë kontrolli mbi të. Por fuqitë e tjera të mëdha e kundërshtuan këtë
ndërmarrje të Vienës dhe të Romës, për të mos lënë që vetëm këto të kishin dorë në
jetën ekonomike të vendit, ngaha varej edhe ndikimi politik. Me propozimin e
Francës. u vendos që Shqipërisë, për të përballuar nevojat e para, t'i jepej një hua
ndërkombëtare prej 75 milionë frangash ari nën garantinë e gjashtë fuqivet të mëdha.
Banka Shqiptare do të krijohej me një kapital ndërkombëtar, në të cilin Austro-
Hungaria me Italinë do të kishin 60% të aksionevet, dhe katër fuqitë e tjera 40%.

Shqipëria ishte njohur shtet i pavarur dhe asnjanës më 29 Korrik, por kufijtë e saj me
Greqinë nuk qenë caktuar akoma. Vija që pati propozuar Austro-Hungaria u
kundërshtua që në fillim, por nuk mund të pranohej sidomos pasi Greqia pushtoi
Janinën dhe tërë Epirin ose Shqipërinë e jugës përveç Vlorës dhe Beratit. Siç kishte
qënë Rusia për Serbinë dhe Malin-e-Zi, përkrahëse e nxehtë e Greqisë dolli Franca
duke ngulmuar që t'i njihëshin asaj Korça dhe Gjirokastra. Austro-Hungaria me Italinë
hoqën dorë nga Janina si edhe nga rrethet e Grehenesë e të Kosturit, por donin që
krahinat e banuara tërësisht prej Shqiptarëvet, që nga qarku i Korçës gjer në Çamëri,
t'i mbetëshin Shqipërisë, kufiri jugor i së cilës duhej t'arrinte në grykën e lumit
Kallama. Punët u ashpërsuan keq sidomos me Italinë, e cila nuk pranonte kurrsesi që
kanali i Korfuzit të mbyllej prej Greqisë. Dhe mbasi interesi i saj përmblidhej këtu,
Italia bëri lëshimin e fundit duke caktuar si pikë jugore të kufirit të Shqipërisë në
bregdetin Jonian kepin Stillo. Në këtë mënyrë humbi edhe Çamëria. Qarku i Korçës
dhe kepi Stillo mbetën caqet e fundit ku Viena me Romën ngulën këmbë duke e thënë
copë se s'mund të tërhiqëshin më këtej. Në mbledhjen e 11 Gushtit 1913, Konferenca
e Londrës i pranoi këto dy caqe, por vija që do t'i lidhte mbetej për t'u studiuar në
vend prej një komisioni ndërkombëtar, i cili do të shikonte edhe përbërjen ethnike të
krahinavet.

Për t'i caktuar në vend kufijtë e Shqipërisë, Konferenca vendosi që të formohëshin dy


komisione ndërkombëtarë, njëri për vijën e kufirit shqiptar me Serbinë dhe Malin-e-
Zi, tjetri për kufirin shqiptaro-grek. Me këtë vendim, Konferenca e Ambasadorëvet,
në Londër, i mbylli punimet e saja më 12 Gusht 1913.

Komisionet ndërkombëtarë, ai i Kontrollit dhe ata për caktimin e kufijvet, arritën në


Shqipëri nga mbarimi i Shtatorit dhe në Tetor 1913. Komisioni i Kontrollit qëndroi në
Vlorë. Ai për caktimin e kufijvet me Greqinë u mblodh në Manastir më 4 të Tetorit,
kurse tjetri, për caktimin e kufijvet me Serbinë dhe Malin-e-Zi, erdhi në Shkodër e u
nis për në Lumë. Ky i fundit, megjithë mosmarrëveshjet ndërmjet antarëvet dhe me
autoritetet ushtarake serbe e malazeze, e vazhdoi punën deri sa ia ndërpreu dimri. Por
ai që do të caktonte kufirin shqiptaro-grek gjeti pengesa të pakapërcyershme nga ana e
ushtërisë greke, e cila mbante të pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë jugore.
Duke përdorur paturpësisht çdo mënyrë mashtrimi, Grekët ia bënin punën pothuajse të
pamundur Komisionit dhe arritën deri sa t'a kërcënonin me forcë e t'a ndiqnin pas
duke e sharë. Austro-Hungaria dhe Italia i dërguan një notë protestimi qeverisë
s'Athinës, por çdo gjë ishte e kotë. Mbasi Komisioni, prej qarkut të Korçës gjer në
kepin Stillo, do t'a caktonte vijën e kufirit duke u pështetur edhe në kombësinë - dhe
këtë s'kish sesi t'a dallonte veçse me anën e gjuhës amtare - Grekët muarën të gjitha
masat për t'a paraqitur popullsinë shqiptare si greke dhe gjoja sikur kërkonte
bashkimin me Greqinë. Ata i zbrazën fshatrat myslimane nëpër vendet ku do të
kalonte Komisioni dhe vendosën kambana, disa të fshehura nëpër pyjet, duke e
kërcënuar popullsinë me vdekje nëqoftëse nuk thërriste që ishte "greke". E detyruan
gjithashtu t'i lyente shtëpitë me ngjyrat e flamurit grek dhe të bërtiste për të kërkuar
bashkimin me Greqinë. Për këtë qëllim, shumë ushtarë grekë u veshën civilë dhe u
vendosën n'ato fshatra gjoja si popull, për t'i dalë përpara Komisionit me thirrma e
bërtima dhe për t'organizuar mbledhje ngado që ai shkonte. Ndërsa pjesa grekomane e
Shqiptarëvet orthodoks kishte ngritur hundën përpjetë dhe tmerronte Myslimanët ose
Orthodoksit atdhetarë. Por nuk mungonin as skenat tragjikomike: nëpër
t'ashtuquajturat fshatra greke, myslimane ose orthodokse, kur dukej përjashta ndonjë
grumbull fëmijësh, ndonjë antar i Komisionit iu hidhte nga një dorë monedha ose
sheqerka dhe ata lëshohëshin për t'i rrëmbyer duke folur shqip midis tyre.

Përveç vështirësivet që iu nxirnin Grekët, kishte gjithmonë mosmarrëveshje ndërmjet


antarëvet të Komisionit, sepse propozimet e përfaqësonjësvet t'Austrisë e t'Italisë
kundërshtohëshin prej atyre të Francës e të Rusisë. Kështu Komisioni Ndërkombëtar
nuk mundi t'a kryente punën në vend. Atëhere qeveria britanike, duke dashur që t'iu
jepej një mbarim sa m'i shpejtë këtyre punëve, hyri përsëri ndërmjetëse dhe këshilloi
që caktimi i kufirit shqiptaro-grek të bëhej mbi hartën gjeografike sipas shënimevet të
Komisionit dhe gjatë një vije të re që propozoi Edward Grey. Kjo vijë i qethte diçka
akoma Shqipërisë, por afrohej mjaft me atë që mpronin Austro-Hungaria e Italia.
Propozimi britanik u pranua prej të dy palëvet. Komisioni u mblodh në Firencë
t'Italisë ku, me ndihmën e Institutit Gjeografik t'atij qyteti, caktoi në hartë kufijtë e
Shqipërisë me Greqinë, të cilët, me fort pak ndryshime, janë ata të sotshmit. Protokolli
i Firencës u nënshkrua më 17 Dhjetor 1913.

Kjo grindje e pabesuarshme ndërmjet fuqivet të mëdha për kufijtë e Shqipërisë


vazhdoi plot një vit në formën e një pazarllëku të mërzitshëm dhe përfundoi me një
marrëveshje në dëm të kombit shqiptar, i cili u nda më dysh porsi t'ishte një mollë. Në
caktimin e kufijve të Shqipërisë, fuqitë e mëdha shikuan vetëm interesat e tyre dhe
nevojën e ruajtjes së paqes, pa u pështetur n'asnjë parim drejtësie, n'asnjë kriter
njerëzor, gjeografiko-ekonomik e historik. Shqipëria shkoi viktimë e mbajtjes
s'ekuilibrit ndërmjet fuqivet të mëdha. Këtë gjë e pohoi vetë ministri britanik i Punëve
të Jashtëme, Edward Grey, kur u përgjigj në Dhomën e Komunevet, më 12 Gusht
1913, për çështjen e kufijve të Shqipërisë: "Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky
vendim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin
dhe që e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi
parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte që të mos
hapej konflikt midis fuqivet të mëdha. Prandaj, nëqoftëse marrëveshja mbi Shqipërinë
u arrit duke mbajtur harmoninë ndërmjet fuqivet të mëdha, mund të themi se ka qënë
një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes n'Evropë".

Gjer ku duhej t'arrinin kufijtë e vërtetë, kufijtë natyrorë të shtetit shqiptar? Kjo çështje
nuk mund të ndahet me përpiksi, sepse gjer atëhere s'kishte pasur një shtet shqiptar.
Kemi folur më sipër se gjer ku shtrihej popullsia shqiptare sipas vërtetimevet të disa
auktorëve të huaj. Aty afrohej edhe mendimi i atdhetarëve të Rilindjes. Sipas Abdyl
Frashërit (në letrën që ky i dërgonte Francesco Grispit më 1890), Shqipëria duhej të
kufizonte nga veriu me Malin-Zi, Bosnjën dhe Serbinë, gjatë kufijvet që iu qenë
njohur këtyre n'atë kohë. Nga lindja, kufijtë natyrorë të Shqipërisë shtrihëshin gjer
afër Vranjës, në kufirin serb; pastaj zbrisnin nga jugë-perëndimi duke e prerë Vardarin
ndërmjet Veles dhe Shkupit, ndiqnin majat e malevet të Babunës dhe të vargjeve të
tjerë në të njëjtin drejtim, kalonin në perëndim të liqenit t'Ostrovës, mbanin në jugë-
lindje të Gramozit, prisnin vargun qendror të Pindit dhe delnin në gjirin e Artës, në
detin Jon. Brenda kësaj vije përfshihëshin Shkupi, Përlepi, Manastiri, Follorina,
Kosturi, Grebeneja, Janina e Preveza. Edhe nëqoftëse mbetëshin këtej disa mijëra
Bullgarë, Vllehë dhe Grekë - mendonte Abdyl Frashëri - m'at' anë kësaj vije ngelnin
Shqiptarë më shumë akoma. Por në një memorandum që Komiteti Shqiptar i
Stambollit i pat dhënë qeverisë turke më 28 Korrik 1912 për të kërkuar bashkimin e
tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm, shënonte si pjesë të Shqipërisë tërë vilajetin e
Janinës dhe tërë vilajetin e Shkodrës; prej vilajetit të Kosovës quante Shqipëri
sanxhaqet e Prizrendit, Pejës, Novi-Pazarit, Prishtinës, dhe kazanë e Tetovës; prej
vilajetit të Manastirit, sanxhaqet e Elbasanit, të Korçës dhe të Dibrës.

Kurse kufijtë e shtetit shqiptar që njohu Konferenca e Londrës përfshinin vetëm


gjysmën e tokavet të Shqipërisë, rreth 28.750 kilometrash katrore, dhe dy të pestat e
popullsisë së saj, më pak se 900.000 frymë. Vendet më pjellore dhe me popullsi më të
dëndur, bashkë me ato që lëshoi traktati i Berlinit, kishin mbetur jashtë kufijvet.
Shqipëria ishte gjymtuar nga të tri anët: nga veriu, nga lindja, nga juga. Pjesën më të
madhe e kishte pushtuar Serbia: krejt Kosovën, Maqedoninë perëndimore, si edhe
Rrafshin e Dukagjinit që e ndau me Malin-e-Zi. Por ky i fundit mori edhe një pjesë të
qarkut të Shkodrës, përveç Ulqinit dhe Tivarit që ia pati njohur traktati i Berlinit. Në
jugë, i mbetej Greqisë e tërë Çamëria, si edhe Janina që kishte qënë kryeqëndra e
Shqipërisë jugore, përveç rrethevet të Mecovës, të Grebenesë, të Kosturit dhe të
Follorinës. Këto të fundit banohëshin prej një shumice Shqiptarësh orthodoks të cilët,
ndonëse të greqizuar me ndjenja, flasin shqip edhe sot. Kurse Çamëria me qytetet e
saj, si Filati, Paramithia, Margëlleçi, Parga, Gumenica e Preveza, banohej e tërë prej
Shqiptarësh, myslimanë shumica, po edhe pjesa orthodokse nuk i kish humbur
ndjenjat kombëtare. Janina, qendra e vilajetit, pat qënë zemra e Toskërisë në të gjitha
kohët. Kosturi dhe Nestrami, në Kohën e Mesme, bënin pjesë në principatën e
Muzakajvet, siç tregon Gjin Muzaka në Gjenealogjinë e tij.

E Copëtuar në këtë mënyrë, Shqipëria mbeti një shtet gjysmak me pjesët më të varfëra
të vendit. Kufijtë e saj ishin caktuar pa asnjë kriter gjeografik as ekonomik, duke
ndarë qytetet prej rrethevet dhe duke këputur në mes shumë krahina që, nga
pikëpamja gjeografike, ekonomike e njerëzore, përbënin njësi të pandarëshme. Pjesët
më pjellore e më të shëndosha të tokavet shqiptare, si Kosova, Maqedonia
perëndimore e Çamëria, kishin mbetur jashtë kufijvet. Populli i atyre krahinave ishte
shquar në lëvizjen kombëtare, kishte qënë në vijën e parë të luftës për çlirimin e
atdheut. Prizrendit historik, kryeqendrës së Lidhjes Shqiptare, iu mohua e drejta të
bënte pjesë me Shqipërinë. Ndarja e atyre vendeve e theu kombin shqiptar në mes nga
pikëpamja njerëzore dhe e la në një varfëri të zezë nga ana ekonomike. Sepse Kosova,
përveç pasurivet të nëntokës, është për bujqësi një nga krahinat më pjellore të
Ballkanit. Ajo vetëm mund t'a mbante tërë Shqipërinë me bukë. Çamëria, nga ana
tjetër, me klimën e saj të butë, me livadhet përherë të gjelbëra, ku mbahëshin aq bagëti
e gjedhe, me arat e grurit, t'elbit e të misrit, me pllajat e duhanit, me bregoret e
veshura tërë vreshta e ullishta, me limanet e hapur në detin Jon dhe humbur në pyje
limonjsh e portokallesh, përbënte një tjetër thesar pasurish natyrore, një tjetër parajsë
të Shqipërisë ethnike.

Gjirokastra, Përmeti, Delvina, Saranda, nga ana tregëtare dhe ekonomike lidhëshin më
parë me Janinën, si edhe e tërë Çamëria gjer në Prevezë. Korça lidhej me Kosturin,
Follorinën, Manastirin, Ohrin. Krahinat e Zerqanit, Maqellarës dhe Gollobordës u
shkëputën nga Dibra e Madhe, krahina e Kukësit u nda nga Prizrendi dhe ajo e
Tropojës nga Gjakova. Shkodrës iu shkëputën jo vetëm një pjesë e mirë e Malësisë së
Madhe, po edhe Kraja, Shestani, pjesa m'e bukur e Anamalit, përveç Ulqinit që iu nda
më 1880. Qytetet e Kosovës, si Prizrendi, Gjakova, Peja, Prishtina, Mitrovica, dhe të
Maqedonisë, si Tetova, Gostivari, Dibra, kishin qënë më parë gjëndrra të rëndësishme
të qarkullimit tregëtar me Shqipërinë e veriut dhe të Mesmen.

Shteti shqiptar, brenda kufijvet që i caktoi Konferenca e Londrës, mbeti me malësitë


më të varfëra dhe me fushat bregdetare të mbytura n'ujë, të mbuluara nga moçalet, ku
malarja dhe oftika bënin kërdi. Prandaj as në vjetët më të mbarë nuk prodhohej dot
buka për popullsinë e vendit, dhe shteti detyrohej të sillte nga jashtë edhe drithë
përveç artikujve të fabrikuar. Pjesa e Shqipërisë së pavarur dolli prej sundimit otoman
me një strukturë ekonomike krejt primitive, dy elementet kryesore të së cilës ishin
bujqësia dhe blegtoria, po edhe këto në një gjendje fort të prapambetur. Gjatë
shekujve të robërisë Shqiptarët ishin dhënë më fort pas përdorimit t'armëvet dhe s'para
kishin pasur dëshirë të merrëshin me punimin e tokës. Një pjesë e fushavet, e mbytur
prej lumenjvet, ishte kthyer në moçalishte, ujrat, kallamet dhe ferrat kishin hipur
kudo; pjesa tjetër punohej me mjete primitive, me parmendën e hequr prej qevet. Nuk
shihej gjëkundi një punë me plan, çdo gjë ishte lënë në dorë të natyrës. Shqipëria që
pat qënë quajtur dikur "hambari i Romës", nuk prodhonte dot tani as sa për t'ushqyer
popullsinë e saj të paktë dhe të vobektë. Nga prodhimet bujqësore, vendin e parë e
zinte misri, pastaj vinin gruri, thekra, elbi, dhe me pakicë patatja. Perimet lëvrohëshin
përqark qytetevet, sidomos në Shqipërinë e jugës. Në rrethet e Shkodrës dhe
t'Elbasanit prodhohej duhani. Në Shqipërinë e Mesme dhe në jugë (në rrethet e Beratit
e të Vlorës) bëhej ulliri, mbjellja e të cilit pat qënë përhapur fort në shekullin XIV; por
në kohët e vona ullishtat nuk punohëshin me rregull. Në fushën e Myzeqesë mund të
prodhohëshin orizi e pambuku, por nuk mbillëshin. Nga pemët, në Shqipërinë e
Mesme dhe të jugës mund të bëhëshin pothuajse të gjitha llojet e zonës së Mesdheut,
në radhë të parë rrushi. Portokalli, limoni, qitra, bëhëshin në rrethin e Himarës. Si
bagëti, në radhë të parë ishin dhentë e dhitë, që mbahëshin me shumicë a me pakicë,
njëri lloj apo tjetri, ose të dy, sipas krahinavet. Gjedhi (gjë e trashë) mbahej me pakicë
dhe zakonisht prej racash të vogla. Peshkimi, në det ose në liqene, bëhej në një masë
të kufizuar. Mbasi nuk kishte industri bujqësore as ushqimesh, pemët, perimet dhe
prodhimi i blegtorisë përfshihëshin n'ekonominë familjare, shitëshin me pakicë sa për
në tregun e brendshëm, pa u kthyer dot në pasuri kombëtare të një shkalle qarkullimi
më të gjerë.

Sistemi shoqëror ishte ai i kohës së Sulltanëvet. Fushat përgjithësisht ishin bërë çifliqe
në duart e bejlerëvet, të cilët kishin pasur fuqinë politike gjatë sundimit turk. Disa
familje të mëdha zotëronin nga 10.000 hektarë tokë ose edhe më shumë. Pastaj vinin
çifligarët e mesëm, që kishin prej 100 gjer më 1000 hektarë secili. Bujqit që i punonin
këto toka ishin juridikisht të lirë, por beu ose agaj kishte gjithmonë mundësinë që t'i
shtypte. Për ngastrën e tokës së punuar, pronari i merrte bujkut zakonisht një të tretën
e prodhimit, nganjëherë gjysmën. Kishte edhe raste ku bujku e mbante tokën qesim,
domethënë jepte për të një sasi të caktuar, në natyrë ose në të holla. Ky sistem vazhdoi
edhe gjatë kohës së shtetit shqiptar, i cili nuk bëri kurrë një reformë agrare, deri me
ardhjen e komunizmit.

Nëpër malësitë, katundari ishte zot toke, por toka e tij ishte aq' e paktë dhe aq' e varfër
sa që s'prodhonte dot as për disa muaj bukë në vit. Në një gjendje pakëz më të mirë
ishin fshatarët e zonavet të mesme, ndërmjet fushës dhe malit. Pse aty çifliqet ishin të
rrallë, dhe e shumta e familjevet kishin pothuajse tokë të mjaftuarshme sa për të bërë
bukën e vitit. Po edhe kjo varej nga moti, mbasi në Shqipëri nuk kishte, si i thonë, një
punim racional të tokës me sisteme vaditjesh; as nuk ndiqej kudo rrotullimi bujqësor,
mbasi tokat ishin të pakta. Prandaj edhe sasia e prodhimit ishte përgjithësisht mjaft e
ulët.

Industri në kuptimin modern të fjalës nuk kishte pothuajse fare. Zejtaria që pat qënë
aq' e përparuar dikur, pështetej kryesisht në punën e dorës dhe kufizohej tani sa për të
plotësuar nevojat e pakta të vendit. Numri i puntorisë ishte i parëndësishëm, kufizohej
nëpër qytetet dhe nuk lozte asnjë rol në jetën politike të vendit. Tregëtia pësoi një
tronditje me copëtimin e Shqipërisë, krahinat më të begatshme dhe qendrat më të
mëdha të së cilës mbetën jashtë kufijvet. Qarkullimi i brendshëm ishte i vështirë nga
mungesa e rrugëvet. Vendi nuk kishte se çfarë t'eksportonte përjashta për të kundër-
balancuar vleftën e importimevet. Se edhe pasuritë kombëtare, pyjet dhe minierat,
shfrytëzohëshin fare pak. Gjendja kulturore e popullit ishte në një shkallë fort t'ulët,
sepse sundimi turk e kishte mbajtur n'errësirën e padijes gjatë pesë shekujve. N'atë
varfëri të mjeruar, higjiena dhe shërbimet mjekësore mungonin, sëmundjet ishin
shumë të përhapuna, vdekësia e fëmijëvet ishte e hatashme.

Qeverisë së Vlorës i paraqitëshin vështirësi të panumërta e probleme që s'mund të


zgidhëshin dot aq lehtë edhe në kohë të qeta. Merret me mend se ajo s'kishte se ç'të
bënte më parë n'atë rrëmujë të përgjakshme, ku Shqipëria e jugës, përveç Vlorës dhe
Beratit, ishte e pushtuar prej Grekëvet, Shqipëria e veriut, prej Serbo-Malazezvet, dhe
në Shqipërinë e Mesme, pas tërheqjes së Serbvet, ngrehu pushtetin e tij Esad Toptani.

Natyrisht, problemi i parë që përqendronte tërë vëmendjen e qeverisë së Vlorës ishte


çështja e kufijvet, e mbetur në duart e fuqivet të mëdha. Kur, më 22 Mars, Konferenca
e Londrës vendosi që krejt Kosova, Maqedonia perëndimore dhe Rrafshi i Dukagjinit,
bashkë me një pjesë të qarkut të Shkodrës, t'iu mbetëshin Serbisë dhe Malit-të-Zi, ky
dënim në skllavëri i gjysmës s'atdheut ra si një rrufe mbi Shqiptarët. Ismail Qemali, në
krye të një dërgate të qeverisë së tij ku bënin pjesë Luigj Gurakuqi dhe Isa Buletini, u
nis për në Londër dhe në disa kryeqytete t'Evropës, në Prill 1913, për të protestuar
kundër asaj padrejtësie të pashembullt që po i bëhej kombit shqiptar. Si mjet udhëtimi
për të kaluar bllokadën e flotës greke përdori anijen private të princit frëng Ferdinand
de Bourbon, Duc de Montpensier, i cili ishte paraqitur në Vlorë si kandidat për fronin
e Shqipërisë. Përveç Londrës, dërgata shqiptare vizitoi Romën, Vienën, Parisin. Po
kush të dëgjon kur nuk ke fuqi? Pasi u përpoq më kot të shpëtonte diçka nga pjesët e
shkëputura t'atdheut, Plaku i Vlorës u kthye me duar-thatë, në Qërshor t'atij viti.

Copëtimi i vendit prej Konferencës së Londrës u bë shkak që, në disa qarqe shqiptare,
të çfaqej përsëri ideja e afrimit me Turqinë. Mendimi ishte se, vetëm me përkrahjen e
kësaj, mund të bashkohëshin prapë pjesët e shkëputura në një shtet shqiptar autonom,
me një princ mysliman në krye, nën mvarësinë e Sulltanit. Në fillim kjo ide kishte një
përmbajtje politike, siç do t'a shohim më poshtë, por pastaj u shndërrua në një
fanatizëm fetar të verbër.

Esad Toptani, i cili pasi dorëzoi Shkodrën u vendos në Tiranë e në Durrës, desh t'a
shfrytëzonte këtë ide, jo me qëllimin e bashkimit të tokavet shqiptare - se ai ishte
vegla e Serbisë, e Malit-të-Zi dhe e Greqisë - por për të nxitur dhe shfrytëzuar
fanatizmin fetar ndër Myslimanët e Shqipërisë së Mesme. Synimi i parë i tij ishte që të
përmbyste qeverinë e Vlorës, për të mbetur ai vetë zot i asaj cope Shqipërie që do të
caktonte Konferenca e Londrës. Prandaj u vu të bënte propagandën, shpifjet dhe
intrigat më të dobëta kundër qeverisë s'Ismail Qemalit. Për t'i dhënë gjoja pushtetit të
tij një formë "legale", Esadi mblodhi në Krujë, nga gjysma e Majit 1913, një farë
"kongresi", ku ishin thirrur ca krerë fanatikë prej Shqipërisë së Mesme dhe krahinave
rreth e qark, si Dibër, Mat, Lesh e Kurbin. Atdhetarët shqiptarë u munduan t'a
kundërshtonin këtë vepërim trathëtar t'Esad Toptanit, që po iu ndihmonte armiqve të
jashtëm dhe po vinte në rrezik edhe atë pjesë të Shqipërisë së njohur nga Konferenca e
Ambasadorëvet. Disa krahina, si Elbasani, nuk dërguan fare përfaqësonjës në Krujë;
po edhe ata që vajtën prej anësh të tjera, nuk u bashkuan të gjithë me qëllimet e
Esadit. Megjithatë, ky gjeti një rreth bejlerësh, agallarësh e klerikësh turkomanë, si
myftiu shpirtqen i Tiranës Musa Qazimi, për të formuar me ta një farë "këshilli", i cili
i lutej gjoja Esad Pashës që të merrte në dorë qeverimin e vendit deri sa të vinte prej
Turqie një princ mysliman.

Esadi e ndjente që kishte kundër tij të gjithë rrymën e lëvizjes së vërtetë kombëtare, e
cila lidhej me qeverinë e Vlorës; kjo e fundit përkrahej deri diku prej Austro-
Hungarisë dhe Italisë, që i kishin dalë zot shtetit shqiptar të pavarur. Nga ana tjetër,
Ismail Qemali nuk kishte fuqi t'a nënshtronte Esad Pashën. Prandaj të dy palët u
gjetën gati për një pajtim me të mirë. Ismail Qemali e ftoi Esadin në qeverinë e tij
duke i dhënë Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Ky e pranoi menjëherë këtë pozitë
dhe vajti në Vlorë, por gjithmonë me qëllim që t'a merrte kalanë nga brenda.

Duke vazhduar intrigat si më parë dhe me shpresë se do të kishte në dorë


gjindarmërinë, Esadi provoi t'afronte rreth vehtes kundërshtarët e Ismail Qemalit,
Syrja Bej Vlorën e të tjerë, por sidomos të fitonte besimin e Italisë dhe t'Austro-
Hungarisë. Me këtë qëllim bëri një udhëtim në Romë e në Vienë. Por duket se nuk
gjeti përkrahje, mbasi ato dy fuqi e dinin që Esadi ishte vegla e armiqvet ballkanikë të
Shqipërisë. Prandaj, si u kthye nga udhëtimi, qendroi vetëm disa ditë në Vlorë dhe
shkoi e u vendos përsëri në Durrës, i veshur me cilësinë e ministrit të Punëve të
Brendëshme, për t'organizuar në Shqipërinë e Mesme gjindarmërinë edh'
administratën. E dinte se duke u pështetur në këtë krahinë, ku ishte baza e forcës së tij,
dhe në përkrahjen e armiqve të Shqipërisë, mund të merrte në dorë sundimin e vendit.
Prandaj vazhdoi shpifjet dhe propagandën e keqe kundër qeverisë së Vlorës duke e
paditur këtë se gjoja punonte në dëm të Shqipërisë, por sidomos të fesë islame, dhe se
donte të sillte një mbret kaur. Sipas Esadit, qeveria e Vlorës duhej rrëzuar dhe në vend
të saj duhej formuar një qeveri e re me qendrën në Durrës. Për të nxitur fanatizmin në
Shqipërinë e Mesme, Esad Toptani tregohej akoma besnik i Turqisë, dhe agjentët e tij
bënin propagandë për një princ mysliman nën mvarësinë e Sulltanit. Qeveria e Vlorës
dhe i tërë nacionalizmi shqiptar paraqitëshin prej Esadistëvet si një lëvizje e pa-fe.
N'ato rrethana, ndarja më dysh e asaj copë Shqipërie të pashkelur, ishte kulmi i
mjerimit dhe i fatkeqësisë kombëtare.

Ndërkaq, qeveria e Vlorës, me mjetet e saja të varfëra, u përpoq të bënte ç'ishte e


mundur për bashkimin e vendit, për organizimin e administratës dhe përhapjen e
arësimit shqip. Ismail Qemali, ndonëse vinte nga një familje e madhe bejlerësh, ishte
liberal në shpirt dhe përparim-dashës. Ndoqi një politikë thjeshtë kombëtare duke u
treguar i paanshëm ndërmjet fevet dhe krahinavet. Pasi u kthye prej udhëtimit
n'Evropë, ia kushtoi tërë kujdesin bashkimit dhe organizimit të visevet të pashkelura
dhe t'atyre që po zbrazëshin nga ushtëritë serbo-malazeze. Shqipërinë e Mesme
qeveria e Vlorës nuk kishte shpresë t'a bashkonte veçse nëpërmjet t'Esad Toptanit, të
cilin vazhdoi t'a merrte me të mirë dhe t'a shikonte si ministrin e saj. Kurse në Veri
dërgoi një komision të kryesuar prej Luigj Gurakuqit, me qëllim që të bashkonte
krahinat e lëshuara nga Serbo-Malazeztë dhe t'afronte popullin e Shkodrës, ndonëse
ky qytet ishte nën kontrollin ushtarak ndërkombëtar. Malësitë e veriut u dëftyen të
gatishme për t'u bashkuar me qeverinë e Vlorës; po ashtu Dedë Coku me krahinën e
Leshit dhe Prenk Bib Doda me Mirditën. Ky i fundit kishte bashkëpunuar me Serbët
gjatë pushtimit ushtarak të tyre. Në Shqipërinë e jugës, qeveria e Vlorës nuk mundi të
bënte gjë, mbasi krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës mbahëshin të pushtuara prej
Grekëvet. Një tjetër problem i vështirë për të ishte strehimi i refugjatëvet (ose
i muhaxhirëvet, si quhëshin atëhere), të shpërngulur me shumicë nga Kosova dhe nga
krahinat e jugës.

Ndonëse në fillim Ismail Qemali, duke parë vështirësitë e bashkimit, kishte menduar
ndarjen e Shqipërisë në kantone, afërngjat pas shembullit të Zvicrës, kjo ide u
kundërshtua me të drejtë prej atdhetarëvet të rrethit të tij dhe u la mënjanë. E ndarë në
kantone, Shqipëria nuk mund të qëndronte as nuk mund të qëndrojë si shtet më vehte;
sepse as gjendja e brendëshme e popullit të saj as rrethanat e jashtëme përtej kufijvet
nuk janë si ato të Zvicrës. Kjo e fundit përbëhet prej popujsh me gjuhë të ndryshme, të
cilët kishin gjetur një ekuilibër bashkëjetese midis tyre, sidomos n'anën e lidhjevet
ekonomike dhe arritur në një shkallë të lartë kulturore përpara se të zgjidhnin atë
formë qeverimi që iu përshtatet aq mirë. Pastaj, si pozitë gjeografike, Zvicra ndodhet
në pikën kulmore t'ekuilibrit ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të cilat nuk
kanë interes t'a prishin. Kurse Shqipëria, ndonëse banohet prej të njëjtit komb me të
njëjtën gjuhë, ishte fort e përçarë përbrenda, shumë e dobët, e prapambetur,
ekonomikisht, dhe populli i saj ka tjetër temperament përveç që s'kishte arritur në
pjekurinë e kulturës as të mendimit politik. Pastaj ndodhej e ndodhet midis armiqsh që
s'mendonin e s'mendojnë tjetër politikë kundrejt saj veç atë të copëtimit dhe të
pushtimit. Këta do të përdornin të gjitha intrigat dhe mjetet e përçarjes, në një vend aq
të varfër, për t'i gëlltitur kantonet njërin pas tjetrit. Pra, as gjendja e brendëshme as
rrethanat e jashtëme të Shqipërisë nuk janë si ato të Zvicrës. Shqipëria s'mund të
mbahej e s'mund të mbahet në këmbë veçse nën një administratë të përbashkët, si
shtet i përqendruar. Çdo ndarje në krahina e kantone do t'ishte vdekja e saj, zhdukja e
saj përgjithmonë nga harta gjeografike.

Prandaj qeveria e Vlorës u vu t'a organizonte vendin nën një administratë të


përqendruar, duke e ndarë vetëm në prefektura, nënprefektura e krahina. Më 22
Nëntor 1913, shpalli edhe një ligj organik të quajtur "Kanuni i përtashëm i
administratës civile të Shqipërisë". Administrimi i vendit ishte parashikuar në një
mënyrë mjaft demokratike, sepse prefekti, nënprefekti dhe krahinari duhej të merrnin
pëlqimin e këshillit administrativ dhe të këshillit të përgjithshëm të rrethit ose të
qarkut për çdo masë që kish të bënte me t'ardhurat, shpenximet, zhvillimin ekonomik
e mbarëvajtjen e krahinës së tyre. Kurse fuqia gjyqësore duhej t'ishte e pavarur nga
administrata, e drejta civile do të ndahej prej sheriatit (domethënë prej gjyqit të
kadilerëvet) dhe komuniteti mysliman do të shkëputej prej mvarësisë së Sheh-yl-
Islamit. N'administratën shtetërore u fut gjuha shqipe, dhe nëpunësit që s'e dinin
shkrimin e saj u detyruan t'a mësonin. Këto vendime, që sot na duken të
parëndësishme, ishin një punë e madhe për n'atë kohë. Çështja e arësimit, që ishte
bërë shkak i aq luftash e përpjekjesh ç'prej Lidhjes së Prizrendit e tëhu, nuk mund të
mos tërhiqte vëmendjen e qeverisë së Vlorës. Shkollat shqipe duhej të hapëshin nëpër
qytete e fshatra. Për të gatitur mësuësit, të cilët mungonin, Ministria e Arësimit
vendosi të çelte nga një shkollë normale në çdo qendër prefekture. Shqiptarët e
mësuar duhej të vihëshin vullnetarisht në shërbim t'arësimit kombëtar. Mbasi
t'ardhurat e shtetit ishin fare të pakta, qeveria shpresonte t'i jepte shtytje zhvillimit
ekonomik dhe organizimit të vendit me ndihmën e huas ndërkombëtare. Pasi u shpall
pavarësia, shteti shqiptar vendosi të vinte dorë mbi pasuritë e shtetit turk dhe çifliqet e
Sulltanit në Shqipëri, lart nga 55.000 hektarë tokë. Këto prona ndodhëshin sidomos në
fushën e Myzeqesë, po edhe në Shqipërinë e Mesme e të jugës, prej Durrësit dhe
Kavajës gjer në rrethet e Sarandës e të Delvinës. Si duket, Ismail Qemali kishte ndër
mend të bënte edhe një reformë agrare, me sa kuptohet nga një fjalim që ai mbajti në
Vlorë, më 22 Tetor 1913. Por ngjarjet u zhvilluan ndryshe. Në rrëmujën që u krijua
pastaj, një pjesë të tokavet të shtetit e përvetuan bejlerët e mëdhenj, sidomos
Vrionasit, në Myzeqe, dhe Toptanasit, në Shqipërinë e Mesme. Mendimet dhe
vendimet e qeverisë së Vlorës tregojnë qëllimin e mirë të saj, por nuk mundën të
vihëshin në zbatim.

Një nga shkaqet e përçarjes dhe të mjerimit kombëtar u bë Esad Toptani. Me anën e
intrigavet, kërcënimevet dhe shpifjevet më t'ulëta, ky u përpoq t'a përmbyste qeverinë
e Vlorës dhe kërkoi që Ismail Qemali të shkonte në Durrës, ku ishte baza e forcës
s'Esadit, për të formuar bashkë me këtë një qeveri të re. Kur e pa se qeveria e Vlorës
nuk ishte e gatishme t'i nënshtrohej vullnetit të tij, Esadi i këputi lidhjet me atë,
mblodhi në Durrës një "Pleqësi" të Shqipërisë së Mesme dhe, më 12 Tetor 1913, u
shpall qeveri më vehte. Pastaj nisi luftën e hapët kundër qeverisë së Vlorës për t'a
shtrirë sundimin e tij në jugë e në veri. U përpoq të shtinte në dorë Elbasanin me anën
e Dervish Bej Biçakut dhe të ca kapistrave të tjerë, por nuk mundi, sepse qytetin e
mprojti me forcë Aqif Pashë Biçaku, i cili ishte një atdhetar i shquar i lëvizjes
kombëtare dhe besnik i qeverisë së Vlorës. Nga ana e veriut, Esadi e shtriu ndikimin
gjer në Dibër e Mat, por te Bregu-i-Matit fuqia e tij ndeshi në qëndresën e Dedë Cokut
dhe s'mundi të kapej në krahinën e Leshit.

Kështu, në Shqipërinë e pashkelur, u krijuan dy pushtete kundër njëri-tjetrit, ai i


qeverisë së Vlorës dhe ai i "Pleqësisë" së Durrësit. Rreth këtyre dy qendrave u ndanë
edhe shqiptarët e asaj kohe, sipas interesavet, prirjevet dhe mendësisë së tyre. Me
qeverinë e Vlorës u bashkuan përgjithësisht atdhetarët, përparim-dashësit, ata që
kërkonin një Shqipëri të vërtetë, të lirë e të pavarur. Rreth Esadit u mblodhën
mbeturitë e feudalizmit, çifligarët e mëdhenj, turkomanët, ata që iu trembëshin
reformavet dhe politikës demokratike t'Ismail Qemalit. M'e keqja ishte se Esad
Toptani nuk kish asnjë ndjenjë kombëtare, bashkëpunonte me armiqtë e Shqipërisë
duke iu bërë çdo lëshim, mjaft që ai vetë të mbetej sundimtar i një copë vendi,

Kësaj përçarjeje të brendëshme i shtohej tmerri që përhapnin ushtëritë serbe e greke,


të cilat mbanin të shkelura, përveç Kosovës dhe Çamërisë, një pjesë të mirë krahinash
që i qenë njohur shtetit shqiptar. Edhe pasi Konferenca e Londrës vendosi mbi kufijtë
e Shqipërisë, ushtëria serbe qëndroi në një t'ashtuquajtur "kufi strategjik", që
përfshinte malësitë e veriut përtej Drinit duke dalë gjer në Mat. Qeveria e Belgradit
kishte nevojë gjoja për këtë vijë "strategjike", si një masë mprojtëse kundrejt sulmeve
të Shqiptarëvet. Kurse Greqia mbante të pushtuara krahinat e Korçës dhe të
Gjirokastrës. Me të dyja këto fuqi kishte lidhje të ngushta Esad Toptani.

Në pjesët e shkelura të Shqipërisë, Serbia vendosi një regjim tmerri duke djegur e
vrarë me shumicë jo vetëm burra, po edhe gra, pleq e fëmijë. Ky vepërim çfarosës
kundrejt racës shqiptare u legalizua me anën e një dekreti që nxori mbreti Pjetër mbi
"Sigurimin e Shtetit", i cili ua linte në dorë forcavet ushtarake të merrnin kundër
Shqiptarëvet çdo masë që t'a shihnin të nevojshme për të mbajtur rregullin dhe
qetësinë. Në pështetje të këtij "ligji", "çlironjësit" serbë, sikurse Grekët në jugë, u
derdhën mbi popullin shqiptar si egërsirat e kohëve më t'errëta të barbarisë, dhe e bënë
vendin gjak, gërmadha e kufoma të llahtarshme. Megjithëse "diplomacia" evropiane u
përpoq sa mundi për t'ia fshehur këto skena të neveritshme opinionit publik të
Perëndimit dhe për t'i paraqitur Serbët e Grekët, jo si hiena që hanin mish njeriu, por
si "engjëjt e Krishtit", xheku gjendej akoma n'atë kohë një fije ndjenje njerëzore,
sepse shkalla morale nuk kishte rënë aq poshtë siç u lavir më pastaj nga komunizmi
dhe nazizmi. Më 1913, Instituti Carnegie dërgoi në Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut
një komision ndërkombëtar për të hetuar gjendien. "Kuptohet menjëherë se
Maqedonia nuk është "Serbi e Vjetër", porsa që populli i saj trajtohet si armik",
shënonte raporti i komisionit. Dhe vazhdonte më tutje: "Diegie shtëpish dhe fshatrash,
vrasje me grumbuj në popullsinë e çarmatosur e të pafajshme, përdhunime të
pashembullta, grabitje e mizori të çdo lloji; këto janë mjetet që trupat serbo-malazeze
kanë përdorur dhe përdorin akoma për t'ua ndërruar krejt fizionominë ethnike
krahinavet që banohen tërësisht prej Shqiptarësh".

Me mijëra gra e fëmijë që kishin shpëtuar pa u djegur gjallë, ose pa u grirë nga
plumbat dhe bajonetat, xvarnisëshin si hije nëpër malet me dëborë, t'urët, të rreckosur
e mbetur kockë e lëkurë. Nga shkonin? Ku drejtohëshin? As ata s'dinin, veçse iknin të
hutuar porsi fantazma të heshtura, duke kërkuar strehë a për t'u fshehur pyjevet. Po
edhe kur nuk i kapte armiku për t'i munduar akoma, për t'i shnderuar, për t'i therur,
shumica e këtyre fatzezve vdisnin palmuç me grumbuj nga uria dhe të ftohtit. Kush do
t'iu jepte ndihmë, kush do të tregonte mëshirë për ta? Ndoshta dëbora, duke iu hedhur
mbi kufomat një mbulesë të bardhë...

Disa filantropë amerikanë provuan t'i merrnin në film këto fantazma të mjeruara dhe
fshatrat e tyre djegur shkrumb e hi, me qëllim që të preknin ndjenjat e Evropianëvet.
Por politika nuk ka ndjenjë! Diplomacia e fuqivet të mëdha bënte çmos për t'ia
fshehur këto tmerre opinionit publik: interesi përpara së gjithash !

Nëpër katundet ku popullsia s'kishte mundur t'ikte, pas vrasjevet dhe plaçkitjevet të
zakonshme, fillonin dëfrimet shtazore t'ushtarëvet serbë e malazez, të cilët, fryrë me
mish dhe me gjënë e rrëmbyer të malësorëvet, i nxirnin këta në mes të natës duke i
rrahur për t'iu gjetur raki e verë. Pastaj shtrihëshin të dehur si derrat në lerë, me
pëllitje këngësh si këto: "O bozhe, bozhe, bez uino ne se mozhe!" (O Zot, o Zot, pa
verë s'jetohet dot).

Sikur nuk patën mjaftuar ato që bëri gjatë dimrit, ushtëria serbe lëshoi një tjetër valë
tmerri mbi popullsinë e zonës "strategjike" që mbante të pushtuar. Për t'i shtrënguar
banorët e atyre vendeve që të kërkonin bashkimin me Serbinë, kumanda ushtarake
shpalli shtet-rrethimin, iu preu malësorëvet rrugët dhe u a ndaloi zbritjen në qytete për
të blerë drithë. Me mijëra familje u kërcënuan të vdisnin nga uria. Ata fshatarë që
provonin të zbrisnin fshehurazi nëpër qytete, vritëshin prej rojevet serbe që kishin
zënë të gjitha shtigjet.

Thirrjet e popullit të mjerë dhe protestat e qeverisë së Vlorës drejtuar fuqivet të mëdha
nuk i dëgjonte askush. Atëhere Shqiptarët u detyruan të rroknin edhe njëherë armët
për të vdekur duke luftuar. Se ushtëria serbe i shtrëngoi aq keq e iu bëri aq të liga, siç
njoftonte Ismail Qemali, sa që nga dëshpërimi burra e gra zgjodhën vdekjen si të
vetëmin shpëtim ndaj shnderimit, rrëmbimit dhe vrasjes.

Kryengritja nisi në Shtator, në krahinat shqiptare të Maqedonisë, Dibër, Tetovë e


Gostivar, dhe pastaj u përhap në Rrafshin e Dukagjinit, ku malësorët u derdhën për të
çliruar Gjakovë e Prizrend. Pas disa luftimesh të rrepta, Shqiptarët çliruan Dibrën e
Madhe ku ngritën menjëherë flamurin e tyre. Ushtëria serbe, e zënë ngushtë, u tërhoq
nga Ohri e Struga për t'iu bërë ballë kryengritjevet në Kosovë dhe në pjesën e
brendëshme të Maqedonisë. Zjarri i luftës po vinte duke u përhapur. Grumbulli i
refugjatëve kosovarë në Shqipëri ishte gati të vërsulej për çlirimin e Kosovës. Bajram
Curri, Hasan Prishtina, Isa Buletini e të tjerë nuk i njihnin kufijtë e caktuar prej
Konferencës së Londrës dhe përpiqëshin t'organizonin në Kosovë një kryengritje të
përgjithshme për të thyer zgjedhën e robërisë. Qeveria e Vlorës, sadoqë zyrtarisht
duhej t'iu mbahej vendimevet të fuqivet të mëdha, e përkrahte tërthorazi lëvizjen
irredentiste kosovare me aq sa kishte në dorë. Në qeveri bënin pjesë edhe Kosovarë, si
Mehmet Pashë Deralla, ministri i Luftës, dhe Hasan Prishtina q'u emërua më vonë, në
kohën e ngjarjevet të Shtatorit. Kjo tregon se Kosova shikohej si pjesë e pandarë e
atdheut dhe se shpresat e çlirimit të saj ishin akoma të gjalla, siç përmblidhëshin në
fjalët e Ismail Qemalit: "Kosova ka qënë dhe do të jetë shqiptare".

Për të shtypur kryengritjen, ushtëria serbe kundërsulmoi në tri drejtime: një pjesë e saj
ripushtoi Dibrën e Madhe, Ohrin, Strugën, dhe arriti afër Pogradecit; një pjesë e dytë
u nis nga Peshkopia dhe iu fut Lumës, për të goditur prapa krahëvet kryengritësit
shqiptarë që luftonin rreth Prizrendit; ndërsa fuqi të tjera iu ranë Shqiptarëvet përballë.

Këtë radhë ushtëria serbe gjeti shkak për të çfarosur popullsinë me burra, gra e fëmijë,
për t'i djegur fshatrat rrafsh me themel e për të mos lënë gjë më këmbë. Veçanërisht
në Lumë, bëri vrasje e mizori të hatashme. Gazeta socialiste serbe "Radniçke Novine"
(Lajmëtari i Puntorisë) botonte më 22 Tetor 1913 letrën e një ushtaraku serb që ia
dërgonte nga Luma: "Nuk kam kohë të të shkruanj shumë gjatë, por dua vetëm të të
them se këtu po bëhen gjëra të llahtarshme. Më përqeth tmerri kur i shoh, dhe pyes
vetvehten sesi njerëzit mund të jenë kaq barbarë sa të kryejnë mizori të këtilla. Prej
kësi pamjesh të neveritet jeta! Mund të të them që Luma u shua krejt. Nuk sheh veçse
kufoma, pluhur e hi. Fshatra me nga njëqind e dyqind shtëpi kanë mbaruar fare e s'ka
mbetur në to rob i gjallë. I mbledhim njerëzit në grupe prej dyzet a pesëdhjetë vetash
dhe i çajmë me bajoneta gjer sa japin shpirt të gjithë". Gazeta serbe përfundonte me
këto fjalë: "Miku i ynë na rrëfen gjëra më të tmerrshme akoma, por nuk po i botojmë
se s'mund t'i durojë ndërgjegjia e njeriut". Gjërat më të tmerrshme akoma, përveç
vrasjeve e shnderimeve do të kenë qënë prerja e hundëve dhe e buzëve për së gjalli
(zakon barbar i njohur n'ushtërinë serbo-malazeze) e të tjera mizori shtazarake si këto.

Ato që përmban letra e ushtarakut serb nuk janë aspak të tepëruara, sepse jo vetëm ka
akoma prej atyre viseve Shqiptarë që i mbajnë mend, por të njëjtat gjëra vërtetohen
afër-ngjat edhe nga raporti i Komisionit Carnégie. Një françeskan i ardhur që andej,
dëshmonte se kishte parë shumë kufoma fëmijësh të vrarë me bajonetë.

Pas këtyre skenave perqethse, është e kotë të flitet për plaçkitje e rrëmbime.

Përpara këtij tmerri, një pjesë e popullsisë s'atyre krahinave u shpërngul dhe zbriti në
Shqipërinë e Mesme. Duke marrë si shkak kryengritjen e Shqiptarevet, Serbia provoi
përsëri të delte në detin Adriatik. Me bashkëpunimin e Esad Toptanit, desh të
pushtonte Shqipërinë e Mesme dhe të përmbyste qeverinë e Vlorës. Por kjo mësymje
e dytë e Serbisë pas caktimit të kufijvet të shtetit shqiptar, nuk mund të mos e çonte
durimin e Vienës gjer atje ku s'mbante. Më 18 të Tetorit, Austro-Hungaria i dha një
ultimatum Belgradit, që të njihte vendimet e Konferencës së Londrës dhe t'i lëshonte
tokat e Shqipërisë politike brenda tetë ditëve. E këshilluar nga Rusia dhe Franca, dhe e
bindur se përndryshe Austro-Hungaria do të përdorte forcën, qeveria serbe u detyrua
t'a tërhiqte ushtërinë brenda kohës së caktuar. Por Grekët nuk po largohëshin nga
Shqipëria e jugës.

Përveç të ligavet që bënë ushtëritë e shtetevet fqinjë dhe përçarjes që solli Esad
Toptani, punët e brendëshme të Shqipërisë u koklavitën edhe nga ndërhyrjet e
Turqvet, të cilët nuk vonuan të dërgonin agjentët e tyre. Pas armëpushimit që iu kërkoi
Turqia Aliatëvet ballkanikë, më 3 të Dhjetorit 1912, Turqit e Rinj erdhën përsëri në
fuqi, më 20 Jenar 1913, dhe i rifilluan luftimet më 3 të Shkurtit. Po edhe këtë radhë u
thyen dhe kërkuan armëpushimin, në Prill 1913. Ndonëse nuk kishte më kufij të
përbashkët me tokat shqiptare, Turqia nuk e njohu menjëherë pavarësinë e Shqipërisë
dhe vazhdoi t'a shikonte atë vend si pjesë të Perandorisë Otomane. Kur Turqit e Rinj i
rifilluan luftimet me Aliatët ballkanikë, u përpoqën të bënin për vehte edhe Shqiptarët
duke iu premtuar këtyre çlirimin e krahinavet të shkelura prej armiqvet dhe njohjen e
një Shqipërie autonome me kufijtë e saj të natyrshëm. Kjo ide nisi të gjente pështetje
në disa qarqe shqiptare, kur u pa se armiqtë ballkanikë e muarën vendin nëpër këmbë
dhe fuqitë e mëdha po e trajtonin si plaçkë tregu. U kuptua se Shqiptarët s'mund të
kishin tjetër përkrahës ose aliat në Ballkan përveç Turqisë. Prandaj një pjesë e tyre u
kthye në mendimin e vjetër, se më mirë një Shqipëri e plotë me të gjitha krahinat dhe
autonome nën Sulltanin, se sa një shtet shqiptar gjysmak e gjoja i pavarur. Përçapjet e
një politike të këtillë pranë Turqve të Rinj, në Stamboll, i bëri një komitet Shqiptarësh
(shumica Kosovarë), i cili u formua pas gjendjes që krijoi Lufta ballkanike. Këta ishin
përgjithësisht nga turkomanët e zakonshëm, por ideja e tyre këtë radhë pështetej në
nj'arësye të shëndoshë kombëtare: më mirë një Shqipëri e bashkuar, qoftë edhe
autonome nën Sulltanin, se sa një gjysëm shteti shqiptar, artificialisht i këputur në
mes, dhe gjoja i pavarur. Kjo ide vazhdoi të përhapej sidomos pas datës së 22 Marsit
1913, kur fuqitë e mëdha vendosën t'iu lëshonin krahina të gjera shqiptare Serbisë dhe
Malit-të-Zi. Ndonëse n'atë kohë Turqia u mund për së dyti dhe nuk vonoi të kërkonte
paqen, vështrimin e saj s'desh t'a hiqte prej Shqipërie. Nisi të dërgonte nga Stambolli
agjentë të fshehtë për të shtytur dhe organizuar një lëvizje shqiptare, e cila do të kishte
si program autonominë e Shqipërisë, me një princ mysliman në krye, nën mvarësinë e
Sulltanit. Princi mysliman duhej t'ishte mundësisht prej origjine shqiptare, por i
pranuarshëm prej Turqisë. Në një kongres që mbajtën Turqit e Rinj, në Gusht 1913, si
princ të Shqipërisë propozuan Izet Pashën, ministrin turk të Luftës, me origjinë
shqiptare.

Kjo ide u përforcua kur Bullgaria u kthye kundër aliatëvet të vjetër, Serbi e Greqi, dhe
nisi t'afrohej me Turqinë për të krijuar një aliancë të dytë në Ballkan. Në Luftën
ballkanike, grushtin më të rëndë Turqisë ia dhanë Bullgarët, kurse përfitimin më të
madh e platën Greqia me Serbinë. Kjo e fundit, në kundërshtim me traktatin serbo-
bullgar të 13 Marsit 1912, e mori për vehte Maqedoninë. Nga këto zemërime,
Bullgaria iu shpalli luftë Serbisë dhe Greqisë, më 29 Qërshor 1913. Kurse Rumania i
shpalli luftë Bullgarisë më 10 Korrik, dhe pushtoi Dobruzhën. Kësaj përleshjeje të
dytë ballkanike i dha fund traktati i Bukureshtit, që u nënshkrua më 10 Gusht 1913.
Kështu Bullgarisë s'i mbetej tjetër miqësi në Ballkan veçse t'afrohej me Turqinë për të
formuar një lidhje turko-bullgare, e cila mund të kishte edhe përkrahjen e Austro-
Hungarisë. Siç ishte e logjikshme, kjo lidhje u përpoq të tërhiqte n'anë të saj edhe
Shqipërinë kundër Serbisë dhe Greqisë. Shqipëria ishte njohur shtet asnjanës, nën
garantinë e gjashtë fuqivet të mëdha, e prandaj s'mund të merrte zyrtarisht pjesë në një
aliancë ushtarake që drejtohej kundër fqinjëvet të saj. Por kishte mënyra të tërthorta
për të përkrahur vepërimin turko-bullgar, si për shembull me anë çetash e duke shtytur
në kryengritje krahinat shqiptare të pushtuara prej Serbisë dhe Greqisë.

Plani i një lidhjeje turko-bullgaro-shqiptare ishte mjaft tërheqës për Shqiptarët, të cilët
nuk shihnin tjetër udhë sesi t'i bashkonin gjymtyrët e shkëputura t'atdheut. Të parët që
u vunë në lëvizje qenë Kosovarët, duke i shtuar përpjekjet e tyre në Stamboll. Kështu,
në rastin e një kryengritje kundër Serbisë, Kosovarët do të kishin edhe përkrahjen e
Bullgaro-Maqedonasvet. Në jugë, ishin vënë në lëvizje edhe Vllehtë e Pindit për t'u
shkëputur nga Greqia dhe për t'a bashkuar krahinën e tyre me shtetin shqiptar. Në këtë
drejtim i shtynte jo vetëm Rumania, po edhe dëshira e tyre, mbasi Vllehtë kanë shkuar
gjithmonë mirë me Shqiptarët.

Në këto kushte, qeveria turke mendoi t'a zgjeronte vepërimin e saj në Shqipëri duke
dërguar të tjerë agjentë, të kryesuar prej majorit Beqir Grebeneja. Ky ishte njeri i zoti
dhe mundi të hynte në lidhje me disa krerë e qarqe të ndryshme të Shqipërisë s'asaj
kohe, duke bërë propagandë për "princin mysliman", pranë fanatikëvet, ose për
çlirimin e krahinavet të robëruara pranë atdhetarëvet. Mbasi në Shqipëri nuk kishte
një mendim politik të përcaktuar mirë, agjentët turq i flisnin gjithkujt atë gjuhë që i
pëlqente, sepse qëllimi i tyre ishte të këthenin shumicën në vijën e bashkëpunimit me
Turqinë. Kjo e fundit i ishte trembur zgjerimit të Greqisë dhe të Serbisë, prandaj
kërkonte mbështetje në Ballkan, tek Bullgarët dhe Shqiptarët. Agjentët e saj ishin të
mirëpritur prej turkomanëvet dhe klerit fanatik mysliman, veçanërisht në Shqipërinë e
Mesme, ku Esad Toptani desh t'a shfrytëzonte këtë lëvizje për interesat e tija. Beqir
Grebeneja u vu t'organizonte këtu edhe komitete të fshehtë, që kishin për qëllim të
sillnin një princ mysliman dhe t'a lidhnin përsëri vendin me Turqinë. Por mbasi
ndjenjat kombëtare dhe ideja e pavarësisë mbahëshin mjaft të forta rreth qeverisë së
Vlorës, agjentët turq u detyruan të hynin në bisedime të drejtpërdrejta me udhëheqësit
e kësaj rryme dhe me disa krerë të Kosovarëvet, duke iu premtuar ndihmën e
Stambollit për bashkimin e pjesëvet të shkëputura të Shqipërisë - Kosovë e Çamëri -
në një shtet shqiptar autonom, ose edhe të pavarur. Ka shumë të ngjarë që Beqir
Grebeneja të jekë takuar fshehtazi edhe me Ismail Qemalin, i cili sigurisht e kuptonte
se s'kish mbetur tjetër shpresë për çlirimin e krahinavet të robëruara veçse nëpërmjet
të një aliance me Turqinë dhe Bullgarinë, sidomos kur afrimi i këtyre të dyjave
përkrahej prej Austro-Hungarisë. Në këtë drejtim punonte edhe konsulli i Bullgarisë
në Vlorë, Pavllov, i cili duhet të ketë pasur bisedime me Ismail Qemalin. Mirëpo
çështja e aliancavet paraqitej fort e vështirë për qeverinë e Vlorës, sepse Shqipëria
ishte njohur shtet asnjanës prej fuqivet të mëdha.

Ndërkaq, Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit kishte arritur në Vlorë, në muajin e


Tetorit 1913. Vetë Ismail Qemali iu kishte bërë një thirrje fuqivet të mëdha që t'a
dërgonin sa më parë, për të liruar vendin nga ushtëritë e huaja dhe për të sjellë
bashkimin e shtetit shqiptar. Ndonëse përfaqësonjësi i Austro-Hungarisë dhe ai i
Italisë kërkuan që Komisioni i Kontrollit t'a njihte qeverinë e Vlorës si qeveri
kombëtare për tërë Shqipërinë, ata të tjerët nuk deshën. Kështu, si qeverinë e Vlorës
edhe "Pleqësinë" e Durrësit, Komisioni vendosi t'i shikonte njëlloj, si autoritete lokale.
Në të njëjtën kohë u largua prej Shkodre Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar, duke
lënë në qytet vetëm një fuqi të vogël nën kumandën e kolonelit anglez G. Philips, që
hyri nën urdhërat e Komisionit të Kontrollit. Mbasi ishte parashikuar që në
Komisionin duhej të kishte edhe një përfaqësonjës shqiptar, si i tillë u paraqit dhe u
pranua Myfit Bej Libohova. Puna e parë që duhej të bënte Komisioni ishte organizimi
i gjindarrnërisë dhe bashkimi i tërë vendit nën një administratë. Për t'organizuar
gjindarmërinë, kish ardhur një grup oficerësh holandezë nën drejtimin e kolonelavet
De Veer dhe Thomson. Këta krijuan brenda pak kohe një gjindarmëri shqiptare prej
1000 vetash dhe me nja 30 oficerë, gati për të marrë në dorëzim vendet që do të
lironte ushtëria greke.

Në Nëntor 1913, sipas propozimit t'Austro-Hungarisë dhe t'Italisë, fuqitë e mëdha


zgjodhën si Princ të Shqipërisë princin gjerman Wilhelm von Wied. Ky u shikua si
m'i përshtatshmi për dy arësye: e para, ishte protestant dhe s'kishte të bënte me
asnjërën nga të tri fetë e Shqipërisë; e dyta, ishte Gjerman, dhe Gjermania s'ishte
drejtpërdrejt e përzjerë në punët e Shqipërisë. Lajmi i caktimit të "Mbretit" u prit në
Shqipëri prej atdhetarëvet dhe shumicës së popullit me gëzim të madh. Të gjorët
Shqiptarë kujtonin se me ardhjen e tij të gjitha punët do të rregullohëshin si me magji:
ushtëria greke do t'a lëshonte vendin, krahinat do të bashkohëshin, qetësia, rregulli, do
të vihëshin kudo dhe, pas aq lemerie e gjaku të derdhur, gjithkush do të mblidhej në
vatrën e tij. Edhe Esad Toptani, për të mos iu dalë kundër fuqivet të mëdha, bëri sikur
e priti mirë caktimin e Wied-it, por nga ana tjetër vazhdoi propagandën nën dhet për
"princin mysliman".

Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit nisi të merrej me organizimin e vendit duke


bashkëpunuar me qeverinë e Vlorës, po edhe me "Pleqësinë" e Durrësit. Siç e pamë
më sipër, qeveria e Vlorës nxori, më 22 Nëntor 1913, një ligj organik për
administratën civile të Shqipërisë. Por tani që kishte mbi krye Komisionin
ndërkombëtar të Kontrollit, veprimtaria e saj erdhi duke u pakësuar. Dhe mbasi
njerëzit, sidomos bejlerët e Shqipërisë, anojnë zakonisht andej nga shohin forcën, disa
prej tyre filluan të shkëputëshin nga rrethi i Ismail Qemalit. Përveç kushërinjve të tij
Vloraj, ky kishte pasur edhe kundërshtarë të tjerë nga ata që bënin pjesë në qeveri, si
Myfit Bej Libohovën, të cilët zunë t'anonin nga forca e Esad Toptanit, ose t'iu bënin
lajka "patronëvet" të huaj duke spiunuar e shpifur kundër Ismail Qemalit.

Komisioni Ndërkombëtar kishte rënë n'erë t'agjentëvet turq dhe urdhëroi


gjindarmërinë të bënte një kontrollim të rreptë në qytetin e Vlorës dhe n'anijet që
ndodhëshin në liman. Pas një shtet-rrethimi prej dy-tri ditësh, ndërmjet 6 dhe 8 Jenar
1914, gjindarmëria kapi në qytet disa agjentë të fshehtë turq, ndër ta edhe Beqir
Grebenenë, përveç nja 10-12 oficerë dhe afro 200 ushtarë që u gjetën n'anijet
austriake. Këta thanë se vinin prej Turqie për t'u riatdhesuar mbasi ishin Shqiptarë
shumica. Me urdhër të Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit u formua një gjyq
ushtarak, i kryesuar prej kolonelit holandez De Veer, që dënoi me burgime të
ndryshme njëzet e ca prej agjentëvet turq, ndërsa Beqir Grebeneja u dënua me vdekje
(por nuk u ekzekutua). Fara e mbjellë prej agjentëve të Turqisë dha si bimë lëvizjen
e Rebelëvet, siç do t'a shohim më poshtë.

Pas këtyre ngjarjeve dhe mbasi për së shpejti pritej të vinte Princi i Shqipërisë, Ismail
Qemali kërkoi që të formohej një qeveri e vetëme për të gjithë vendin dhe u tregua i
gatishëm t'ia lëshonte pushtetin në dorë Komisionit të Kontrollit. Ai shpresonte se
n'atë mënyrë do të hiqej nga fuqia edhe Esad Toptani, dhe do të mbyllej përçarja.
Kështu, më 22 Jenar 1914, qeveria e Vlorës dha dorëheqjen, Ismail Qemali u largua
nga skena dhe shkoi të jetonte në Zvicër.

Komisioni i Kontrollit kërkoi nga Esad Toptani që t'a shpërndante edhe ai "Pleqësinë"
e Durrësit për t'i lënë vendin një qeverie kombëtare, e cila do të formohej porsa të
vinte Princi. Por Esadi nuk dëgjoi me të mirë, gjersa mori premtimin se do të vente ai
vetë në krye të një komisioni shqiptar për t'i shpurë kurorën Wied-it, në Neuwied. Në
këtë mënyrë, dhe me tërheqjen nga skena t'Ismail Qemalit, Esadi po e tregonte vehten
si përfaqësonjësi m'i lartë i Shqipërisë. Qëllimi i tij ishte që t'a vendoste kryeqytetin në
Durrës dhe t'a merrte ai vetë kryesinë e qeverisë shqiptare. Rreth Esadit po
mblidhëshin tani bejlerë edallkaukë, majmunët e pozitavet dhe të përfitimevet.

Në se tmerri i ushtërivet serbe u largua përkohësisht nga krahinat e Shqipërisë veriore


(ndonëse vazhdonte gjithmonë në Kosovë e Maqedoni), ushtëritë greke s'po e
lëshonin Shqipërinë e jugës. Të këqiat që kishin bërë këto, sidomos në Çamëri, iu
kallën datën Shqiptarëvet. Për t'u shkarkuar gjoja nga përgjegjësia zyrtare e krimevet
dhe e grabitjevet, qeveria greke organizoi çeta hajdutësh, nën kumandën e
kriminelëvet të neveritshëm Delijanaqi, Harilago, e të tjerë, që s'lanë gjë pa bërë mbi
Shqiptarët. Njerëzia merrnin arratinë nga të mundnin ose fshihëshin pyjevet, ku
vdisnin nga uria, për t'i shpëtuar vrasjes mizore dhe shnderimit. Lart nga 25.000 kokë
bagëti të Çamërvet, përveç ushqimit dhe plaçkavet të shtëpisë, u rrëmbyen që në ditët
e para prej bandavet greke. Po edhe autoritetet zyrtare s'mbetëshin pa punë: me urdhër
të kolonelit Ebitis, u vranë mjaft çamër në Prill të vitit 1913. Kurse më 1 Dhjetor t'atij
viti, 72 burra të zgjedhur nga parësia e Filatit, Margëlleçit dhe Paramithisë u ftuan
gjoja për t'iu paraqitur qeveritarit të Janinës dhe u vranë që të gjithë në katundin
Selan, në Sulin e Poshtëm.

Pas caktimit të kufijvet me Protokollin e Firencës, më 17 Dhjetor 1913, fuqitë e


mëdha kërkuan nga Greqia që t'i lëshonte krahinat e Shqipërisë politike brenda një
muaji. Por Venizelloja, kryeministri dhelpër i Greqisë, i kishte menduar këto punë më
përpara. Ndërsa Serbo-Malazeztë nuk gjenin asnjë mbështetje në Shqipërinë e veriut
sepse Shqiptarët, myslimanë e katolikë, ishin kundër tyre, në jugë paraqitej gjendja
ndryshe: një pjesë e Shqiptarëvet orthodoks ishin grekomanë, të punuar me kohë prej
shkollave greqishte e prej klerit grek, dhe mund t'i shërbenin Greqisë si një bazë për të
bërë lodrën e saj. Dhe lodra që mendonte Venizelloja ishte kjo: dy krahinat jugore,
Korçë e Gjirokastër, të shpallëshin si "shtet autonom" i Epirit të Veriut (ose "Vorio-
Epir", siç e quajtën Grekët) dhe të veçohëshin nga Shqipëria. Pastaj do t'ishte fare i
lehtë bashkimi i tyre me Greqinë. Edhe pse në këto dy krahina Myslimanët dhe pjesa e
Orthodoksvet atdhetarë përbënin shumicën e madhe, pjesa grekomane e Orthodoksvet
i mjaftonte Venizellos si një mbulesë për të fshehur prapa tyre kriminelët e prurë nga
Gjiriti dhe prej viseve të tjera të Greqisë.

Por qeverisë greke i duhej të fitonte kohë, gjer sa të pregatiste vënien në zbatim të
këtij plani. Prandaj, më 30 Dhjetor 1913, Venizelloja u përgjigj se do t'a tërhiqte
ushtërinë prej krahinavet të Shqipërisë jugore pasi t'ishte zgidhur në dobi të Greqisë
çështja e ishujvet t'Egjeut. Ndërkohë, ushtëria greke organizoi bandat famëkeqe të
quajtura "kompani të shenjta" (hierolohitët) me hajdutë dhe kriminelë të lëshuar prej
burgjeve të Greqisë, dhe i vërviti në krahinat e Korçës e të Gjirokastrës për t'a
shkretuar vendin në zjarr e në gjak. Shpalli gjithashtu mobilizimin e përgjithshëm për
Shqiptarët orthodoks të cilët i shikonte si Grekë. Natyrisht, pjesa e atdhetarëvet nuk
pranoi të hynte n'atë trathëti të fëlliqur dhe u mundua t'iu qëndronte Grekëvet bashkë
me Myslimanët. Por pati mjaft grekomanë që u vëllazëruan me kriminelët e Gjiritit
dhe bënë lodrën e Venizellos. Disa prej këtyre, Simo Marjani me shokë në qarkun e
Korçës e të tjerë nga anët e Përmetit, të Delvinës e të Gjirokastrës, u bënë udhëheqësit
e Grekëvet dhe formuan banda të rrezikshme kundër popullsisë myslimane.

Më 13 të Shkurtit 1914, fuqitë e mëdha, me anën e një note të përbashkët, ia kujtuan


edhe njëherë qeverisë greke se duhej t'i zbraste tokat e Shqipërise gjer në mbarim të
Marsit, dhe se vetëm atëhere mund të merrëshin parasysh kërkesat e saja në lidhje me
ishujt e Egjeut. Por Venizelloja përgjigjej me mënyra bizantine se "qeveria helenike
zotohej të mos shtynte kurrkënd, drejtpërdrejt as tërthorazi, për të kundërshtuar
vendimet e fuqivet të mëdha në lidhje me Shqipërinë e jugës" etj. Me këto fjalë donte
të thoshte se qeveria greke s'kishte të bënte nëqoftëse vetë "Epirotët e Veriut" s'donin
të bashkohëshin me shtetin shqiptar. Këtë paturpësi cinike, prej atëhere e gjer më sot,
diplomacia greke e ka bërë si një rregull të pandryshuarshëm kundrejt Shqipërisë.

Megjithatë, për të mos ardhur në kundërshtim të hapët me fuqitë e mëdha, Venizelloja


i dha urdhër ushtërisë së rregullt që t'a lëshonte Korçën më 1 Mars. Të nesërmen, hyri
në qytet gjindarmëria shqiptare dhe u vu një administratë e varur prej Komisionit
ndërkombëtar të Kontrollit.

Por kjo ishte vetëm një manevër e qeverisë greke për t'iu treguar fuqivet të mëdha se
gjoja ajo po e tërhiqte ushtërinë e rregullt. Kurse nga ana tjetër kish pregatitur
shpalljen e "autonomisë s'Epirit të Veriut" dhe hedhjen në vepërim të "kompanivet të
shenjta", që paraqitëshin si "forcë vorio-epirote". Prej një t'ashtuquajturi "kongres" që
u mblodh në Gjirokastër më 28 Shkurt 1914, nën kryesinë e Jorgji Kristaq Zografit,
grekoman nga fshati Qestorat i Gjirokastrës dhe ish-ministër i Punëve të Jashtëme të
Greqisë, u shpall "autonomia e Vorio-Epirit". U formua edhe një "qeveri vorio-
epirote" me Zografin si kryeministër, Karapanon (ish-deputet grek) si ministër i
jashtëm dhe kolonel Dulis (oficer grek) ministër i luftës. Ca ditë më vonë, Himarioti
Spiro Spiromilo, major n'ushtërinë greke, shpalli "autonominë" e shtatë fshatravet të
Himarës.

Menjëherë pas kësaj tragjikomedie, Zografi bëri të njohur se "as Greqia as fuqitë e
mëdha nuk kishin të drejtë të ndërhynin në punët e brendëshme t'Epirit të Veriut" dhe
kërkoi nga Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit që të mos i lejonte forcat shqiptare të
shkelnin "kufijtë e këtij shteti".

Kur princi Wilhelm von Wied (ose Vidi, siç e quajtën Shqiptarët) zbriti në Durrës më
7 Mars l9l4, u ndodh përpara një gjendjeje tepër të koklavitur. Ardhja e tij u prit me
shumë gëzim dhe ngjalli shpresa që s'mund të plotësohëshin. Vidi ishte i mirë ndoshta
si njeri, por s'kishte as zotësinë as mjetet e duhura për t'a nxjerrë vendin nga ajo
gjendje. Si kryeqytet zgjodhi Durrësin, ku ishte baza e forcës s'Esad Toptanit. Më 17
Mars, u formua qeveria shqiptare nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, një diplomat
i vjetër që kishte qënë ambasador i Turqisë në Petrograd. Ndonëse Esad Toptani nuk u
vu dot në krye të qeverisë, ai mbeti prapë se prapë njeriu m'i fuqishëm sepse mori dy
ministritë më të rëndësishme, të Punëve të Brendëshme dhe të Luftës. Ky ishte një nga
gabimet e Vidit, që i dha Esadit - kreu i të gjitha intrigavet - dy vendet kyç në qeveri.
Gabimi tjetër ishte që nuk iu vuri fuqivet të mëdha si konditë të domosdoshme
çlirimin e krejt tokës shqiptare prej ushtërivet greke përpara se ai të vinte në Shqipëri.
E vetëmja dobi që pati ndoshta vendi i ynë prej ardhjes së Vidit ishte se ky u njoh si
princ i Shqipërisë prej gjithë fuqivet të mëdha dhe shtetesh të tjerë t'Evropës e të
Ballkanit, duke i dhënë kështu pavarësisë shqiptare një vërtetim ndërkombëtar të
pamohuarshëm.
Qeveria që u formua nën Vidin përbëhej prej çifligarësh a bejlerësh të mëdhenj të
cilët, si gjithnjë, shikonin më fort interesat e tyre se sa ato të Shqipërisë. Por sido që të
kishte qënë qeveria kombëtare, ata që propozonin dhe vendosnin në punët e
Shqipërisë ishin të huajtë: Këshilli ndërkombëtar i Kontrollit dhe këshilltarët e huaj që
rrethonin Princin. Për fat të keq, nuk ishin as këta në një mendje, sidomos këshilltarët
austriakë dhe italianë. E dimë rivalitetin e vjetër ndërmjet Italisë dhe Austro-
Hungarisë për çështjen e ndikimit a të sundimit të tyre në Shqipëri. Por gjatë Luftës
ballkanike dhe vendimeve të Konferencës së Londrës, këto dy fuqi kishin mbajtur një
politikë pak a shumë të përbashkët kundrejt Shqipërisë. Kurse me ardhjen e Vidit,
Italia e ndryshoi qëndrimin e saj dhe nisi të bënte një politikë më vehte në lidhje me
çështjen shqiptare, kundër Austro-Hungarisë dhe në dëm të madh të Shqipërisë. Duke
pandehur se Vidi, si Gjerman, ishte m'i afërt me Austrinë, Italia u vu të gjente vegla
midis Shqiptarëvet, e në radhë të parë Esad Toptanin. Filloi gjithashtu të bënte me
Greqinë një politikë më vehte duke i lëshuar pe në Shqipërinë e jugës.

Pas formimit të qeverisë së Durrësit, kundërshtimi i parë ndërmjet fuqivet të mëdha u


çfaq për çështjen e huas që do t'i jepej Shqipërisë dhe për krijimin e bankës kombëtare
të saj. Austria kërkoi edhe njëherë që banka shqiptare të krijohej me kapitale austro-
italiane dhe huaja prej 75 milionë frangash ari, vendosur prej Konferencës së Londrës,
t'i jepej Shqipërisë prej këtyre dy shteteve. Por fuqitë e tjera e kundërshtuan këtë plan
dhe nuk deshën të largohëshin nga mendimi i vjetër, propozuar prej Francës, që banka
e Shqipërisë dhe huaja të plotësohëshin me kapitale prej të gjashtë të mëdhenjvet.

Statuti organik i Shqipërisë, e para Kushtetutë e shtetit shqiptar, u hartua prej


Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit dhe u nënshkrua prej tij, në Vlorë, më 10 Prill
1914. Ky statut s'ishte tjetër veçse një përmbajtje e vendimevet themelore që pati
marrë për Shqipërinë Konferenca e Londrës, më 29 Korrik 1913. Pra, sipas nenit 1 të
këtij statuti, Shqipëria shpallej principatë kushtetutore, sovrane e trashëgimore, nën
garantinë e gjashtë fuqivet të mëdha, të cilat garantonin gjithashtu (neni 2) tërësinë
dhe paprekshmëninë e tokës së Shqipërisë me kufijtë që ato patën caktuar. Shteti
shqiptar ishte asnjanës (neni 3), dhe asnjanësia e tij garantohej po prej gjashtë fuqivet
të mëdha. Në fronin e Shqipërisë njihej me të drejta sovrane Princi Wilhelm von
Wied, i cili ishte kryetari i administratës civile e ushtarake dhe emëronte këshillin e
ministravet. Gjuha zyrtare dhe e detyruarshme nëpër shkollat ishte shqipja. Organi
legjislativ i principatës së Shqipërisë ishte Asambleja Kombëtare, ku do të
zgjidhëshin, me anë zgjedhësash të dytë, nga tre deputetë për çdo sanxhak; por
n'Asamble do të bënin pjesë edhe përfaqësonjësit e tri fevet, komisari i lartë shqiptar
pranë Bankës Kombëtare, dhe dhjetë antarë të caktuar prej Princit. Nga ana
administrative, Shqipëria ndahej në 7 sanxhaqe (prefektura), që nëndahëshin
në kaza (nënprefektura), dhe këto në nahije (komune). Statuti organik caktonte
institutet e larta të shtetit, përbërjen e forcavet t'armatosura, organizimin e degëvet të
ndryshme t'administratës, të financavet, të drejtësisë, t'arësimit etj. Garantonte lirinë e
nënshtetasvet, lirinë e veprimtarisë së tyre politike, ekonomike e shoqërore.

Si shihet, statuti organik i jepte Shqipërisë vendin e një principate të pavarur në


radhën e shteteve t'Evropës. Pika që mund të kritikohej më shumë ishte neni 4, me
anën e të cilit principata Shqiptare detyrohej të mbante në fuqi traktatet, konventat dhe
rregullimet ndërkombëtare të Perandorisë Otomane në lidhje me konçesionet a
privilegjet që ajo iu kishte njohur të huajvet në tokat e Shqipërisë. Këto s'mund të
hiqëshin as mund të ndryshohëshin veçse me vendimin e të gjashta fuqivet të mëdha.

Por statuti organik i Principatës Shqiptare nuk pati kohë e mundësi të vihej në zbatim:
dy stuhi prej skëterre e përmbysën shtetin e porsa-lindur: vërshimi i Grekëvet, në jugë,
dhe kryengritja e Rebelëvet, në Shqipërinë e Mesme.

Pasi shpallën në Gjirokastër t'ashtuquajturën qeveri "t'Epirit të Veriut", Grekët dhe


grekomanët i shtuan përpjekjet për t'u bërë zotër të vendit. Koloneli holandez
Thomson, i ngarkuar prej Komisionit të Kontrollit si komisar për krahinat e jugës,
shkoi në Korfuz ku pati një bisedim me Karapanon, përfaqësonjësin e "qeverisë së
Vorio-Epirit", për t'i gjetur një rregullim çështjes. Thomsoni, duke shprehur mendimet
e Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit, i cili s'donte të kishte shumë kokëçarje, iu
premtoi Grekëvet disa "të drejta të veçanta" për popullsinë e "Epirit të Veriut". Por
qeveria e Durrësit nuk i pranoi këto lëshime dhe u tregua kundër çdo forme autonomie
për krahinat e jugës.

Grekët, duke parë qëndrimin e lëkundshëm të Komisionit të Kontrollit dhe mos-


interesimin e fuqivet të mëdha, provuan të pushtonin prapë Korçën me befasi, natën
mbë 2 Prill 1914. Ushtëria e rregullt e tyre ishte "tërhequr" më 1 Mars sa për të
gënjyer fuqitë e mëdha, sepse në të vërtetën ata kishin lënë forca të fshehura brenda në
qytet dhe nëpër fshatrat rreth Korçës, nëpër shtëpitë e Orthodoksvet grekomanë.
Kishin lënë gjithashtu në spitalin e Korçës një numër ushtarësh gjoja "të sëmurë" dhe
"mjekët" e tyre, që nuk ishin veçse oficerë për të drejtuar grushtin e befasisë në çastin
e duhur. Kishin depot e fshehta t'armëvet, gjithmonë nëpër shtëpitë e grekomanëvet
ose nëpër kishat orthodokse, si edhe një rrjetë spiunësh që i ndërlidhte mitropolia e
Korçës me peshkopin grek në krye.

Të pregatitur në këtë mënyrë, Grekët dhe grekomanët i ranë Korçës natën mbë 2 Prill
1914. Por gjindarmëria shqiptare, nën kumandën e majorit holandez G. Snellen, i theu
forcat armike dhe i vuri përpara. Ky guxim iu dha zemër Shqiptarëvet t'atij qarku, të
cilët u ngritën me shumicë, t'udhëhequr prej Themistokli Gërmënjit e të kumanduar
prej Sali Butkës me shokë, dhe u hodhën kundër bandavet greke e grekomane.
Enthusiazmi qe i madh. Pas një përpjekjeje të rreptë që bënë në Barmash me armiqtë
"vorio-epirotë", Shqiptarët çliruan Kolonjën dhe Leskovikun. Të tjera fuqi
vullnetarësh u ngritën në këmbë, çliruan Përmetin, Tepelenën dhe, në ditët e para të
Majit, arritën gjer afër Gjirokastrës, ku e kishte qendrën e ashtuquajtura "qeveri e
Vorio-Epirit". Bandat e Grekëvet dhe të Shqiptarëvet grekomanë, duke u tërhequr,
dogjën e vranë sa mundën nëpër fshatrat myslimane.

Princ Vidi me qeverinë e Durrësit shpresuan se erdhi rasti për t'i përzënë Grekët nga
Shqipëria jugore dhe menduan të pregatitnin një fuqi prej 10.000 vullnetarësh që t'ua
dërgonin ndihmë luftëtarëvet të jugës. Por ai që do t'a vinte në zbatim këtë plan ishte
ministri i Luftës, Esad Toptani, i cili nuk kishte asnjë dëshirë për të ndihmuar
"Toskët". Ai e dinte se atë pjesë të Shqipërisë nuk do t'a kishte kurrë pas vehtes,
prandaj s'mërzitej fort sepse t'a merrnin Grekët, me të cilët ishte në lidhje. Kështu
Esadi, jo vetëm që s'tregoi vullnet të mirë për të mbledhur fuqi, por fshehu edhe një
sasi armësh e municionesh që u nisën nga Durrësi për në jugë, dhe që nuk arritën
kurrë !

Kur panë vendosmërinë e Shqiptarëvet dhe forcat e tyre që arritën gjer përpara
Gjirokastrës, qeveria greke bashkë me Zografin iu paraqitën fuqivet të mëdha kërkesa
më të zbutura, në dukje, por që në të vërtetë s'e ndryshonin aspak qëllimin dhe planin
e Greqisë. Ishte një manevër për të fituar kohë e për t'a pushtuar vendin ca nga ca.
Grekët kërkonin tani, jo autonominë e plotë të "Vorio-Epirit", por një administratë të
veçantë për krahinat e Korçës e të Gjirokastrës, të cilat duhej të kishin gjindarmërinë e
tyre të përbërë prej "vendasvet" dhe me oficerë grekë, ndërsa gjuha shqipe mund të
përdorej bashkë me greqishten nëpër zyrat dhe shkollat.

S'do mend të kuptohet se kjo ishte tallja më përbuzëse dhe më trashamane që i bëhej
kombit shqiptar nga ana e Greqisë dhe e fuqivet të mëdha, të cilat e pranuan këtë
propozim! Qeveria shqiptare e Durrësit e kundërshtoi sa mundi, po kush i pyeste
Shqiptarët? Të mëdhenjtë e Evropës e ndjenin t'afërt shpërthimin e luftës, dhe s'donin
t'i prishnin qejfin Greqisë për hatër të Shqiptarëvet. E para ishte Italia që e ndau
politikën e vet prej asaj t'Austro-Hungarisë në lidhje me Shqipërinë dhe Greqinë.
Duke menduar se Vidi ishte njeriu i Austrisë dhe se Durrësi u bë i kësaj, Italia ia vuri
synë Vlorës dhe filloi intrigat me Greqinë për t'i rregulluar veçan çështjet midis tyre.
Me politikën e saj mistrece, qeveria e Romës pranoi t'i bënte lëshime Athinës në
Shqipërinë e jugës nëqoftëse Venizelloja i largonte trupat greke prej ishullit të
Sazanit, për t'i lehtësuar kështu Italisë pushtimin e Vlorës në rast nevoje. Nga ana
tjetër, Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit s'mendonte veç si e si të gjente rrugën më
të shkurtër, për të pasur sa më pak andralla. Në bazë të raporteve të këtij, fuqitë e
mëdha i kumtuan Venizellos, më 24 Prill 1914, se ato ishin gati t'iu njihnin disa të
drejta "Vorio-Epirotëvet" dhe se mund të pranonin edhe rishikimin e vijës së kufirit
greko-shqiptar. Cinizmi i tyre kundrejt Shqipërisë s'kish si të shkonte më tutje, kur e
dimë se ato vetë i kishin njohur ata kufij si të pacënuarshëm, në vendimet e
Konferencës së Londrës dhe në statutin organik që Komisioni ndërkombëtar i
Kontrollit i dha shtetit shqiptar më 10 Prill t'atij viti.

Qeveria e Durrësit me Princ Vidin s'patën se ç'të bënin veçse t'ia linin në dorë
Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit rregullimin e çështjevet shqiptaro-greke.
Komisioni shkoi në Korfuz ku, pas një javë bisedimesh me "përfaqësonjësit e Vorio-
Epirit", nënshkroi, më 17 Maj 1914, Protokollin e Korfuzit, ose protokollin e turpit, i
cili, sipas shprehjes s'antarit britanik t'atij Komisioni, Sir Harry Lamb, "nuk bazohej
n'asgjë të vërtetë e prandaj, logjikërisht, duhej hedhur në shportën e plehravet". Harry
Lamb e kuptoi se Komisioni i Kontrollit, në Korfuz, e bëri marrëveshjen me
përfaqësonjës të qeverisë greke dhe jo të Shqipërisë së jugës, siç paraqitej komedia.

Sipas Protokollit të Korfuzit, dy prefekturat Korçë e Gjirokastër, ndonëse formalisht


bënin pjesë me shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vehte, pothuajse
autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit.
Gjindarmëria e këtyre krahinave do t'ishte vendase, dhe ushtëria e shtetit shqiptar,
përveçse në kohë lufte, s'do të kishte të drejtë të shkelte në to. Edhe nëpunësit e lartë
do t'ishin vendas, t'emëruar sa për formë prej qeverisë shqiptare por me pëlqimin e
Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Komunitetet orthodokse do të kishin një statut
juridik të veçantë. Shkollat do t'ishin greqishte për të Krishterët, shqipja hynte si gjuhë
e dytë vetëm në tri klasët e para të shkollës fillore. Kurse n'administratën do të
përdorëshin të dyja gjuhët. Zbatimi i përmbajtjes së Protokollit do t'ishte nën garantinë
e fuqivet të mëdha. Protokolli hynte në fuqi pasi të ratifikohej prej qeverisë shqiptare,
prej "qeverisë vorio-epirote" dhe prej gjashtë fuqivet të mëdha.

Qeveria shqiptare nuk desh t'a ratifikonte Protokollin e Korfuzit, i cili, si shumë
vepërime të tjera të këtij lloji, tregonte mënyrat e neveritshme të fuqivet të mëdha
kundrejt popujvet të vegjël e të pamprojtje. Për të kënaqur Italinë, që lozi rolin më të
dobët n'ato bisedime, qeveria greke, pas ca ditësh, e lëshoi ishullin e Sazanit.

Ndërsa Princ Vidit dhe qeverisë së Durrësit po iu vinin protesta nga shumë anë të
Shqipërisë kundër vendimevet të Korfuzit, shpërtheu e papritur kryengritja e
fanatikëvet myslimanë të Shqipërisë së Mesme ose e Rebelëvet, siç u quajtën n'atë
kohë. Në fillim u pandeh se kjo ishte e shtytur prej Esad Toptanit, dhe se prapa këtij
qëndronte Italia, për të përzënë Vidin prej Shqipërie. Prandaj, me urdhër të Princit,
shtëpia e Esadit u rrethua prej gjindarmërisë së Durrësit, e kumanduar nga oficerë
holandezë, natën ndaj të gdhirë më 19 Maj 1914. Esadi nuk desh të dorëzohej, po kur
shtëpia e tij u qëllua me top, ai nxori menjëherë flamurin e bardhë. Pasi u arrestua,
ndërhyri ministri italian në Durrës, baron Aliotti, për t'a marrë ndën mprojtje dhe për
t'a hequr n'Itali me një luftanije. Vidi ia dorëzoi, dhe Esadi u prit në Romë me
nderime.
Pas kësaj ngjarjeje, qeveria shqiptare dha dorëheqjen, por u formua përsëri nën
kryesinë e Turhan Pashës, me fort pak ndryshime: vendin e Esadit si ministër i Punëve
të Brendëshme dhe i Luftës e zuri atdhetari i njohur, Aqif Pashë Biçaku (Elbasani);
Midhat Frashëri u emërua ministër i Punëve Botore; dhe, pak më vonë, Petro Poga
zëvendësoi Dr. Mihal Turtullin si ministër i Arësimit.

Ndërkaq, kryengritja e Rebelëvet po merrte përpjesëtime të mëdha. Ajo nisi në rrethin


e Tiranës, më 17 Maj, me një sulm kundër batalionit të vullnetarëvet Tiranas, që po
shkonte në Durrës për t'i vajtur në ndihmë Shqipërisë jugore kundër Grekëvet.
Batalioni i vullnetarëvet u shpartallua shpejt te Ura e Limuthit, afër Tiranës, dhe
kryengritësit hynë në qytet. Kjo plasje pushke u hap si një kushtrim nëpër fshatrat
rreth e qark. Të nesërmen, më 18 Maj, grumbuj t'armatosur zunë Shijakun dhe iu
drejtuan Durrësit. Më 19 Maj u arrestua Esad Toptani. Fuqitë e para qeveritare që u
nisën në drejtim të Shijakut, u thyen, dhe një oficer hollandez i gjindarmërisë u zu rob
prej Rebelëvet. Më 23 Maj, këta sulmuan Durrësin duke u hedhur përpara me guxim
fanatikësh, por u prapsën me humbje gjer në kodrat e Rrashbullit. Atdhetarët civilë
rrëmbyen armët për t'i ndihmuar gjindarmërisë në mprojtjen e kryeqytetit.

Cili ishte shkaku, ose shkaqet e këtij tërbimi? - Sigurisht turkomania dhe fanatizmi
fetar.

"Historianët" e regjimit komunist kanë dashur t'a paraqisin kryengritjen e Rebelëvet si


një lëvizje të fshatarësisë së shtypur kundër bejlerëve e çifligarëve, dhe kundër Vidit
që përfaqësonte "ndërhyrjet e jashtëme imperialiste dhe reaksionin e brendshëm
feudal". Dhe si hero prototip t'asaj "lëvizjeje fshatare me karakter social-agrar"
mbajnë Haxhi Qamilin. Dialektika marksiste e "luftës së të kundërtavet" iu ka vlejtur
këtu më tepër se kudo gjetkë për të vënë kundër Haxhi Qamilit dhe masavet fshatare
myftiun e Tiranës, Musa Qazimin, me turkomanët. E kështu në çdo mbledhje e në çdo
rast, janë këta të fundit që kërkojnë bashkimin me Turqinë dhe që ecin me flamurin e
saj përpara! Të shkretat masa fshatare dhe i shkreti Haxhi Qamil që, ndonëse ka në
dorë kumandën e tyre dhe i bën shpalljet sociale e patriotike të denja për një marksist,
bjenë gjithmonë viktimë e kësaj pakice turkomane!

Që komunistët kanë nevojë të pjellin nga fantazia lëvizje fshatarësh a punëtorësh të


kohës së shkuar, me "karakter social", për t'i dhënë luftës terroriste të tyre rrënjë të
largëta në histori, është e kuptuarshme. Që si hero prototip t'asaj lëvizjeje të zgjedhin
Haxhi Qamilin (i cili iu ngjante komunistëvet nga çrregullimi psikik megjithëqë, si
fanatik fetar, nuk ishte aq mizor dhe nuk hante njerëz sikurse fanatikët marksistë),
edhe kjo është e kuptuarshme. Por të këtilla fshehtësira të historisë mund t'i zbulojë,
siç thamë, vetëm dialektika marksiste, që ka arritur t'a tregojë - të bardhën të zezë dhe
të zezën të bardhë. Kurse logjika e zakonshme detyrohet t'i paraqiti gjërat dhe ngjarjet
ashtu si i pranon mendja e njeriut. Dhe mendja e njeriut nuk mund të pranojë që Haxhi
Qamili me shokë u ngritën për reforma ekonomike, kur ata vetë thërrisnin "duem
Babën!" (domethënë Sulltanin), ecnin përpara me flamurin e Turqisë, dhe s'u dëgjua
tjetër fjalë prej tyre përveç parullave fetare që i përhapnin nëpër fshatra me anën e
hoxhëvet. As e merr mendja që kryengritësit të shpresonin reforma ekonomike prej
këthimit nën Turqinë, i cili ishte qëllimi i luftës së tyre.

Është për t'u shënuar se Rebelët nuk u ngritën kundër feudalizmit si klasë
shfrytëzonjëse, por kundër nacionalistëvet myslimanë dhe atyre bejlerëve që
bashkëpunonin me Vidin, princin "kaur", e që pranonin shkëputjen nga Turqia. Disa
djegie shtëpish e rrëmbime drithi i kryen vetëm mbi pronat e këtyre bejlerëve dhe jo
kundër të gjithëve. Bejlerët turkomanë që u bashkuan me Rebelët, si Dervish Biçaku
nga Elbasani, u bënë miqtë e tyre. Në Berat, për shembull, u pushkatuan prej
Rebelëvet Baki Gjebreja, Muharrem Leshi, Ismail Klosi dhe Hajredin Fratari. Asnjëri
prej këtyre nuk ishte bej as çifligar, por vetëm nacionalistë shqiptarë që kishin luftuar
për shtetin e pavarur nën Vidin, si gjithë atdhetarët e asaj kohe. Në të vërtetën,
kryengritja e rebelëvet ishte më fort një sëmundje turkomanie se sa luftë fetare, sepse
ata nuk vranë e nuk trazuan asnjë të Krishter, me sa dihet, jashtë luftimevet me
vullnetarët e Vidit. Kurse grekomanët e Epirit bënë kërdi mbi popullsinë myslimane,
pa kursyer as gra e fëmijë. Rebelët nuk vranë popull, si komunistët e sotshëm, por
vetëm disa nacionalistë myslimanë, të cilët, sipas tyre, ishin shkaku i shkëputjes ose
pengesa e bashkimit me Turqinë.

Lëvizje fshatare në kuptimin e klasës nuk ka pasur kurrë në Shqipëri gjer me sot;
përndryshe nuk do të kishte mundur komunizmi t'a bluante ndën thundra fshatarësinë
e t'a bënte skllave të partisë, siç e ka bërë.

E kemi parë më sipër sesi Turqia nuk desh t'a njihte pavarësinë e Shqipërisë dhe
se Turqit e Rinj, kur zunë t'afrohëshin me Bullgarët, i shtuan përpjekjet për t'a
tërhequr n'anë të tyre popullin shqiptar, duke i premtuar çlirimin e krahinavet të
robëruara dhe autonominë ndën një princ mysliman. Beqir Grebeneja dhe agjentët e
tij, përveç ndër turkomanët, u përpoqën t'a bënin të pranuarshme këtë politikë edhe në
qarqet e atdhetarëvet që nuk shihnin tjetër udhë-daljeje nga gremina ku e hodhën
Shqipërinë Lufta ballkanike dhe Konferenca e Londrës. Mirëpo ngjarjet rrodhën
ndryshe, alianca turko-bullgare mbeti gjë e vakët Shqipëria u vu ndën kontrollin
ndërkombëtar dhe si princ i saj u caktua Vidi. Me kokëfortësinë e tyre djallëzore dhe
duke i ditur ndjenjat e një pjese të Shqiptarëvet, Turqit e Rinj nuk hoqën dorë nga
përpjekja për t'a futur përsëri Shqipërinë në rrethin e Perandorisë Otomane. Por këtë
radhë puna e agjentëvet të tyre u kufizua ndër turkomanët, sidomos të Shqipërisë së
Mesme, ku ata kishin organizuar me kohë komitete të fshehtë dhe ku fanatizmi fetar
mbahej m'i fortë. Idenë dhe ndjenjat për një "princ mysliman" i kishte nxitur në këtë
krahinë edhe Esad Toptani, me qëllim që t'i shfrytëzonte n'interes të tij. Po kur ky
shkoi t'i shpinte kurorën Vidit dhe u bë ministër i këtij princi "kaur", e humbi besimin
tek fanatikët myslimanë. Ndryshe, "lëvizja fshatare" e komunistëvet do të kishte pasur
në krye Esad Toptanin, çifligarin më tiranik të Shqipërisë. Pra megjithse Esadi kishte
ndihmuar në pregatitjen psikologjike të kryengritjes, nuk ishte ai që e shtyti. Ajo u
shtyt e u drejtua prej agjentëvet turq dhe prej turkomanëvet. Pastaj u bë shesh
intrigash për të gjithë armiqtë e Shqipërisë që donin shkatërrimin e shtetit shqiptar.
Ndonëse prapa skenës vepronin agjentët turq dhe aventurierë t'ardhur prej visesh të
ndryshme (në Tiranë, për shembull, organizonjësi i lëvizjes ishte Arif Hiqmeti nga
Tetova), në krye të rebelizmit u dukën myftiu i Tiranës Musa Qazimi, Mustafa Ndroqi
dhe Haxhi Qamili nga katundi Sharrë i Tiranës.

Më 3 Qërshor 1914, Rebelët bënë një mbledhje në Shijak, ku caktuan programin e


tyre dhe ndanë detyrat. Ata donin largimin e Vidit, këthimin e Shqipërisë ndën
Turqinë ose ardhjen e një princi mysliman i varur prej Sulltanit, ngritjen e flamurit të
Turqisë, futjen e turqishtes si gjuhë zyrtare ose shqipja të shkruhej me abecenë arabe,
dhe emërimin e kryemyftiut të Shqipërisë nga Sheh-yl-Islami. Si kryetar i lëvizjes, ose
i qendrës së përgjithshme, u zgjodh Mustafa Ndroqi, dhe si kumandar i fuqivet
t'armatosura, Haxhi Qamili. Por kryetari i vërtetë i lëvizjes rebele ishte myftiu i
Tiranës, Musa Qazimi.

Mbasi nuk e muarën dot Durrësin me sulmin e parë, Rebelët u shtrinë brenda pak
ditësh në Kavajë, Krujë, Peqin. Qeveria e Durrësit nuk kishte fuqi të mjafta për t'i
hedhur kundër tyre në mësymje të përgjithshme. Princ Vidi bëri thirrje për ndihma
nga të gjitha anët, por vetëm nga veriu mundën të vinin disa fuqi të pakta. Shqipëria e
jugës ishte e zënë kundër Grekëvet. Në Durrës, përveç gjindarmërisë dhe disa
atdhetarëve që rrokën armët si vullnetarë, kishte vetëm një forcë Kosovarësh me Isa
Buletinin dhe Bajram Currin e nja 600 Mirditas me Prenk Bib Dodën. Në një sulm që
bënë këta të fundit, patën mjaft humbje. Qeveria provoi të merrej vesh me Rebelët dhe
dërgoi një komision në Shijak. Por ata vinin si kusht zëvendësimin e Vidit me një
princ mysliman dhe këthimin e Shqipërisë nën mvarësinë e Sulltanit. Luftimet
rifilluan nga mesi i Qërshorit. Rebelët e sulmuan Durrësin me tërbim nja dy herë, por
u prapsën duke pasur mjaft humbje. Në një nga këto përpjekje u vra Koloneli
holandez Thomson i gjindarmërisë shqiptare.

Duke parë se s'mund t'a merrnin dot Durrësin, Relebët u shtrinë n'anë te tjera të
Shqipërisë, nga veriu e nga juga. Pushtuan Elbasanin, më 23 Qërshor, pastaj
Lushnjën, Beratin, Fierin dhe, nga ana e lindjes, arritën gjer në Pogradec. Aty u
përpoqën me çetën e vullnetarëvet Kolonjarë, dhe n'ato luftime u vra Gani Butka, i
biri i Saliut. Por n'atë kohë Grekët, duke përfituar nga rrëmuja, e shkelën Protokollin e
Korfuzit dhe u vërsulën mbi krahinat e Tepelenës, Përmetit, Korçës. Prej qendrës së tij
në Pogradec, Haxhi Qamili bëri një marrëveshje me "Vorio-Epirotët", që të dy palët të
mbanin caqet e tyre.
Në lëvizjen e Rebelëvet, përveç agjetëvet turq që e drejtonin prapa skenës, futën
hundët dhe duart të gjithë armiqtë e Shqipërisë. Italia e shtynte dhe e përkrahte me
qëllim që të përzinte prej Shqipërie Princ Vidin, të cilit ia kishte bërë qëndresën mjaft
të vështirë në Durrës. Serbia e ndihmoi edhe me armë e municione, që iu vinin
Rebelëvet përmes liqenit t'Ohrit, sepse n'atë mënyrë mendonte t'a prishte shtetin
shqiptar dhe t'i mbyllte rrugën e ndërhyrjes Austrisë. Greqia e shtyti sa mundi, për të
paralizuar me anën e saj qëndresën shqiptare dhe për t'ua treguar Orthodoksvet si një
lëvizje fetare myslimanësh kundër të Krishterëvet, në mënyrë që këtyre të mos iu
mbetej tjetër udhë përveç bashkimit me Greqinë. Të gjithë këta armiq kishin agjentët e
tyre pranë Rebelëvet. Kur Kolloneli anglez G. Philips, ish-kumandari i forcës
ndërkombëtare të Shkodrës, vajti në Tiranë si ndërmjetës për t'i bindur Rebelët që t'i
nënshtrohëshin Vidit dhe qeverisë së Durrësit, u takua me pesë veta, prej të cilëvet
njëri iu duk si një prift grek, tjetri si një Turk, dhe asnjë prej të pestëvet, tha ai, nuk
ngjante me Shqiptar. Një përshkrim të tollovisë s'asaj kohe e gjejmë në shënimet e
Sekretarit të Legatës rumune në Durrës, princi Sturdza, i cili ishte mik i Shqipërisë aq
sa luftoi me pushkë në dorë bashkë me Shqiptarët për mprojtjen e Durrësit. "Sot në
Shqipëri çdo nismë e mirë, konstruktive, është e dënuar të dështojë- thotë ai. Çfarëdo
rruge që të ndjekish, fqinjët e afërm dhe të largët do të t'a bëjnë të pamundur për t'i
dalë në krye. Edhe po të jesh i butë e i shtruar, agjentët e huaj do të bëjnë çmos që të
t'a prishin mendjen gjer sa të rrëmbesh pushkën e të hidhesh në kryengritje. Mjete,
armë e të holla hyjnë nga çdo anë e kufijvet për t'iu shërbyer qëllimevet shkatërronjëse
të të huajvet. Vetëm po të duash të luftojsh për çështjen kombëtare si atdhetar i
ndershëm, s'të vjen kurrkush prapa, do të gjejsh pengesa nga të katër anët, dhe
përpjekja jote do të dështojë në rrëmujën e përgjithshme".

Ky shikim i drejtë i diplomatit rumun përmban një të vërtetë të hidhur, të tmerrshme,


që rëndon akoma si një mallkim fatal mbi të mjerën Shqipëri. Të gjitha intrigat e botës
gjejnë shesh të lirë n'atë vend, vetëm për atdhetarët nuk ka rrugë-daljeje. Ngado që të
këthehen këta, iu duhet t'i bjenë murit me kokë ose të vdesin udhëvet të mërgimit.

Pas largimit t'Esad Toptanit dhe pas intrigavet që lozi në kryengritjen e Rebelëvet,
Italia desh të gjente një figurë të rëndësishme për të bërë politikën e saj në Shqipëri,
kundër Vidit. Dhe i hodhi syt, si duket, mbi Ismail Qemalin. Ky e theu heshtjen që
kishte mbajtur disa muaj në Zvicër dhe dolli përsëri në skenë për t'iu dhënë ca këshilla
Shqiptarëvet. Pas një bisedimi që pati me ministrin e Punëve të Jashtëme t'Italisë, San
Giuliano-n, Ismail Qemali erdhi përsëri në mendimin e tij të vjetër, që Shqipëria të
ndahej në tri kantone, në shembull të Zvicrës, dhe qeverimi i vendit t'i lihej në dorë
Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Ndoshta Ismail Qemali, duke parë se
Shqipëria e jugës po kalonte në duart e Grekëvet dhe e Mesmja u zhyt në rrëmujën e
turkomanëvet, mendoi se zgidhja m'e mirë ishte ndarja e saj në kantone, të
vetqeverisura sipas dëshirës të tyre, nën mprojtjen e Komisionit ndërkombëtar të
Kontrollit që përfaqësonte të gjashta fuqitë e mëdha. Në këtë mënyrë, me largimin e
Vidit, merrte fund edhe rivaliteti austro-italian në Shqipëri. Mirëpo në të vërtetën,
ndarja e Shqipërisë në kantone donte të thoshte n'atë kohë, e në çdo kohë, zhdukja e
saj përgjithmonë nga radha e shtetevet. Sepse kantoni i jugës do t'i bashkohej
menjëherë Greqisë, ai i mesit do të binte ndën Italinë dhe i veriut, ndën Austrinë (më
vonë, ndën Jugosllavinë). Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit nuk do të bëhej,
sigurisht, bariu besnik i kopesë shqiptare të ndarë më trish. Sidomos kur kishte dhënë
provën, me Protokollin e Korfuzit, se nuk e hante fort malli për Shqipërinë e për
Shqiptarët. Bashkimi i Shqipërisë, n'atë kohë, nuk mund të bëhej veçse rreth fronit të
Vidit, i cili simbolizonte përpara botës shtetin shqiptar të pavarur. Prandaj qeveria e
Durrësit dhe atdhetarët përgjithësisht nuk ia dëgjuan këto mendime Plakut të Vlorës,
dhe bënë shumë mirë.

Kur panë se Rebelët e hodhën vendin në rrëmujë, Grekët e shkelën menjëherë


Protokollin e Korfuzit edhe u derdhën mbi krahinat e Shqipërisë së jugës si egërsira
t'etshme për gjak e mish njeriu. Në një t'ashtuquajtur "kongres panepirot" që mbajtën
në Delvinë, më 6 Korrik, për të ratifikuar Protokollin e Korfuzit, Grekët e "qeverisë"
së Zografit vendosën jo vetëm t'i kërkonin të tjera kushte Komisionit ndërkombëtar të
Kontrollit, po edhe të hynin me ushtëri në tokat e shtetit shqiptar, për të mprojtur gjoja
Orthodoksit e "persekutuar" prej Myslimanëvet. Atëhere kriminelët e "kompanivet të
shenjta", bandat e Orthodoksvet grekomanë dhe njësi të rregullta t'ushtërisë greke ranë
si stuhi e vdekjes mbi Shqipërinë e jugës duke djegur e vrarë ç'gjenin përpara, burra,
gra, fëmijë e pleq. Shqiptarët provuan t'iu bënin qëndresë në Tepelenë, Kolonjë,
Skrapar e Tomorricë, por u thyen prej rrebeshit. Kështu filloi shpërngulja e popullsisë
myslimane në masë për të gjetur shpëtim në pjesët e pashkelura të Shqipërisë. Rrethet
e Tepelenës, Dangëllisë, Leskovikut, Kolonjës, u zbrazën pothuajse krejt; popullsia e
tyre, me dhjetra mijë, zbriti në drejtim të Vlorës. Grekët ose "Vorio-Epirotët" arritën
gjer në Berat. Në furinë e këtij shpërthimi barbar, dogjën shkrumb e hi 314 fshatra
myslimanësh. Të vrarët mizorisht nuk numërohëshin. Kush u kap, u ther pa mëshirë.
Njëqind Shqiptarë myslimanë me gra e fëmijë ishin mbyllur në kishën e Hormovës,
duke kujtuar se atje do të gjenin mprojtje; por bandat e Zografit i vranë që të gjithë, pa
kursyer as një grua, as një fëmijë. Një dram si ky ngjau në Panarit të Korçës ku u
therën si bagëti 24 burra, e në shumë fshatra të tjera. I tërë ai vend u bë një ikni-kush-
do-të-shpëtojë-gjallë !

Mizoritë që punuan Grekët në Shqipërinë e jugës u dëgjuan gjer n'Evropë. Në Londër,


Markezi Lansdowne ngriti zërin kundër Greqisë në Dhomën e Lordavet, duke e
paditur atë për krimet, djegiet dhe mizoritë më të neveritshme kundrejt Shqiptarëvet.
Ndërsa miku i vlefshëm i Shqipërisë, Aubrey Herbert, protestoi me të njëjtin shpirt në
Dhomën e Komunevet. Ky këndoi përpara deputetëvet edhe një letër që kishte marrë
nga një miku i tij filogrek, dëshmonjës me sy i ngjarjevet të tmerrshme të Shqipërisë, i
cili shkruante: "Vajtimi i gravet, ulërimat e fëmijëvet dhe të foshnjavet të njoma në gji
të mëmavet është gjëja më rrënqethëse që kam parë, ndonëse kam parë shumë llahtari
të tjera në jetën time". Por ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Edward Grey,
s'kishte nge të merrej me kësi gjërash të vogla! Ai i gjente të kënaqshme deklaratat
zyrtare t'Elefteri Venizellos, të cilat kishin aq vleftë sa të lehurat e një qeni.

Refugjatët e shpërngulur prej krahinavet të jugës arritën numrin njëqind mijë. Populli
i rrethevet të Beratit e të Vlorës ndau kafshatën e bukës me këta të mjerë, por s'kishte
se ç't'iu jepte. Më në fund, kjo turmë njerëzore, e urët, e xhveshur e në një gjendje të
papërshkruarshme, zuri vend n'ullishtat e Vlorës, ku u tha e u tret nga uria, nga
sëmundjet. Qeveria e Durrësit bëri thirrje për ndihma n'Evropë pranë organizatavet të
Kryqit të Kuq e të tjera të këtij lloji, por askush s'u shqetësua për të ndihmuar
Shqiptarët. Përpara kësaj tragjedie, qeveria e Durrësit i kërkoi Zografit që të lejonte
këthimin e këtyre refugjatëve nëpër vatrat e tyre, ndonëse të djegura, duke i siguruar
se nuk do të përndiqëshin. Por ai s'ishte ngopur akoma me kufoma Shqiptarësh,
prandaj nuk e pranoi kërkesën. Vendi ishte rrënuar prej tre-katër vjet lufte të paprerë.
Tokat kishin mbetur të papunuara. Viti 1915 qe një vit zie i tmerrshëm. Drithi qe fare i
pakët, dhe importimi u bë i pamundur me plasjen e Luftës botërore. Popullsia, në një
pjesë të madhe të Shqipërisë së jugës, zu të vdiste urie. Tek të mjeruarët e Ullishtavet
të Vlorës, përveç urisë dhe të ftohtit, u përhapën epidemitë, që korrën si me drapër të
mëdhenj e të vegjël, me mijëra e mijëra burra, gra e fëmijë. Një pjesë e atyre që
shpëtuan, emigroi në Turqi e gjetkë. Drami i popullit shqiptar ka fort pak shembuj në
historinë e botës.

Në mes të këtyre ngjarjeve, u dëgjua atentati i Sarajevos, ku terroristët serbë vranë


Arqidukën e Austrisë, Franc Ferdinandin, më 28 Qërshor 1914. Kjo qe shkëndija që i
dha zjarr barutit n'Evropë dhe shkaktoi plasjen e Luftës së Parë botërore. Fuqitë e
mëdha, sadoqë u munduan të shpëtonin paqen duke bërë padrejtësitë më të rënda në
kurris të kombit shqiptar, u kapërthyen prapseprapë ndërmjet tyre. Një muaj pas
atentatit, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë. Më 1 Gusht 1914, Gjermania i
shpalli luftë Rusisë dhe, më 3 Gusht, Francës. Atëhere edhe Anglia iu shpalli
menjëherë luftë Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. E gjashta fuqi e madhe evropiane,
Italia, e cila deri atëhere kishte qënë e lidhur me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë,
qëndroi përkohësisht asnjanëse gjersa të shihte se ngaha do t'anonte fitimi. Pas disa
muajsh, u bashkua edhe ajo me fuqitë e Entente-ës (Francë, Angli, Rusi) kundër
Perandorivet qendrore (Gjermani, Austro-Hungari).

Plasja e Luftës së përgjithshme e ndryshonte qëndrimin e fuqivet të mëdha kundrejt


Shqipërisë, vend që ato donin t'a përdornin tani në planet e tyre ushtarake e politike,
secila për llogari të saj. Austro-Hungaria desh t'a lidhte shtetin shqiptar me politikën e
vet dhe t'a hidhte në luftë kundër Serbisë. Krerët kosovarë, si Hasan Prishtina, Isa
Buletini e Bajram Curri e pranonin këtë propozim se kujtonin që ky ishte rasti për të
çliruar Kosovën. Por Vidi me qeverinë e Durrësit e gjykuan më mirë punën, dhe nuk
pranuan të merrnin anë as t'i shpallnin luftë Serbisë mbasi Shqipëria ishte shtet
asnjanës. Kjo ishte politika m'e urtë, se përndryshe do t'a kishin komprometuar keq
t'ardhmen e shtetit shqiptar kur Perandoritë qendrore e humbën luftën. Në përgjigjen
që i dha Austro-Hungarisë, Vidi i thoshte se "megjithëqë ishte i bindur, si gjithë
Shqiptarët, që tokat thjeshtë shqiptare, të cilat i qenë lëshuar padrejtësisht Serbisë,
duhej t'i këthehëshin Shqipërisë, ai nuk mund të hynte në luftë, për shkak të
vështirësivet të brendëshme dhe për shkak se Shqipëria ishte shtet asnjanës i garantuar
bashkarisht prej fuqivet të mëdha".

Austro-Hungaria atëhere ia hoqi përkrahjen Vidit dhe nisi të vështronte nga Rebelët,
të cilët, duke qënë të varur nga Turqia, mund të përdorëshin kundër Serbisë. Kurse
krerët kosovarë ishin gjithmonë për marrjen pjesë në luftë përkrah Austro-Hungarisë
dhe Gjermanisë, ngaha shpresonin çlirimin e Kosovës.

Kështu gjendja e brendëshme e Shqipërisë u koklavit më shumë akoma. Komisioni


ndërkombëtar i Kontrollit u paralizua krejt, mbasi fuqitë e mëdha ishin në luftë kundër
njëra-tjetrës. Edhe grupi i oficerëvet hollandezë mori urdhër që të largohej prej
Shqipërie. Vidi, më 10 Korrik 1914, iu pati bërë një thirrje të fundit fuqivet të mëdha
që t'a ndihmonin. Por atëhere, në prakun e Luftës, askush nuk kishte nge të merrej me
shtetin shqiptar përveç Austro-Hungarisë, që desh t'a hidhte në luftë kundër Serbisë.
Më në fund, e lëshoi nga dora edhe ajo. Kurse Rebelët, përbrenda, pushtuan Vlorën.
Vidi dhe qeveria e tij kishin mbetur tani të rrethuar në Durrës. Gjendja ishte e
pashpresë. I shtrënguar nga të gjitha anët, Princ Vidi s'pati se ç'të bënte tjetër veçse një
shpallje popullit shqiptar dhe, pa abdikuar, u largua nga Shqipëria, më 3 Shtator 1914.

Një pjesë e atdhetarëvet shqiptarë u arratis përjashta, një pjesë tjetër u mblodh në
Shkodër, e cila kishte mbetur akoma, ndën kontrollin ndërkombëtar, si e vetëmja
strehë e lirë në Shqipëri. Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit, përpara se të largohej
prej Shqipërie, ia la në dorë punët e kësaj Komisionit të konsujvet në Shkodër, nën
kryesinë e atij t'Italisë asnjanëse.

Pas kaq mundimesh, pas kaq gjakderdhjesh, pas kaq mjerimesh, përpjekjet e
atdhetarëvet u mbytën prej forcavet t'errësirës: grekomanët dhe turkomanët e
përmbysën shtetin shqiptar. Fetë e ndryshme, që s'kishin qënë veçse propaganda
politike t'armiqvet, e bënë punën e tyre duke helmuar tek pjesa m'e madhe e
Shqiptarëvet ndërgjegjen kombëtare dhe ndjenjën e bashkimit.
XXV
Lufta e Parë botërore e vinte edhe njëherë çështjen e Shqipërisë si një problem për t'u
zgjidhur. Zgjidhja këtë radhë mund t'ishte copëtimi i saj ndërmjet Italisë dhe fqinjëvet
ballkanike. E pamë më sipër sesi Konferenca e Londrës pat pranuar njohjen e një
shteti shqiptar vetëm sa për të ndaluar përpjekjen me armë midis Austro-Hungarisë
dhe Rusisë. Kufijtë e shtetit të ri nuk u bazuan n'asnjë kriter ethnik, historik ose
gjeografiko-ekonomik, por u shënuan si një kompromis artificial ndërmjet këtyre dy
fuqive. Tani që Austro-Hungaria ndodhej në luftë kundër Rusisë dhe Aliatëvet të
Perëndimit, dhe që Italia, në Maj 1915, mori anën e Aliatëvet, u kuptua se, po t'a
fitonin luftën këta të fundit, problemi i Shqipërisë mbetej për t'u rregulluar ndërmjet
Italisë dhe fqinjëvet ballkanikë. Nga ana tjetër, e tërë bota ishte mërzitur me çështjen
shqiptare dhe me zhvillimet fatkeqe që patën marrë punët e Shqipërisë përbrenda.

Menjëherë pas shpërthimit të Luftës botërore, krahinat e Shqipërisë, mbetur si një


mall i shkretë, u bënë plaçkë pazarllëqesh ndërmjet fuqivet të mëdha, sepse secila prej
tyre kërkonte të tërhiqte n'anë të saj shtetet rreth e rrotull duke iu premtuar shpërblime
mbë tokat shqiptare. Porsa Venizelloja u tregua se do të merrte anën e Franko-
Britanikëvet, këta ia njohën Greqisë të drejtën e pushtimit ushtarak mbi Epirin. Por në
qendër të pazarllëqevet për tokat shqiptare qëndronte Italia. Duke mbetur disa muaj
jashtë luftës si asnjanëse, kjo i vazhdoi pazarllëqet me të dy palët ndërluftonjëse, hem
për të parë se ngaha mund të nxirte përfitim më shumë, hem për të pritur se nga do
t'anonte balanca e forcavet. Austro-Hungaria ia njihte Italisë Vlorën me rrethet, por
kërkesat e kësaj kundrejt aliates së vjetër u bënë gjithmonë më të mëdha: donte
Trentinin, Istrien etj., dhe heqjen e ndikimit austriak prej Shqipërie. Kënaqja e këtyre
kërkesave ishte e vështirë për perandorinë Austro-Hungareze, sidomos që Shqipëria
kishte për të një rëndësi strategjike të radhës së parë në sigurimin e rrugëvet detare e
tokësore drejt Mesdheut. Kurse Anglia e Franca nuk kishin interesa të drejtpërdrejta
në Shqipëri dhe mund t'i kënaqnin dëshirat e Italisë, por iu duhej të mendonin edhe
për Serbinë e Greqinë, ndoshta edhe për Bullgarinë e cila s'kishte marrë akoma
qëndrim deri atëhere. Rusia, n'anë të saj, u përpoq të ringjallte aliancën e vjetër
ballkanike për të hedhur kundër Austro-Hungarezëvet edhe Bullgarinë e Greqinë
përkrah Serbisë. Në këtë rast, dy fqinjët duhej t'i lëshonin diçka Bullgarisë në Thrakë
e Maqedoni, ndërsa ato vetë do të shpërblehëshin me Shqipërinë. Mbasi mbreti
Kostandin i Greqisë anonte nga Perandoritë qendrore, Gjermania i premtonte atij
Shqipërinë e jugës në rast se do t'iu shpallte luftë fuqivet t' Entente-ës. Si shihet,
Shqipëria ishte bërë një plaçkë në duart e fuqivet të mëdha, për të shpërblyer me të
aliatët e tyre më të vegjël. Kur Turqia iu shpalli luftë fuqivet t' Entente-ës, më 2
Nëntor 1914, Anglia e Franca i shtuan përpjekjet për të hedhur kundër saj Bullgarinë
dhe Greqinë, duke menduar si shpërblim për këtë të fundit, përveç tokash n'anën
turke, edhe Shqipërinë e jugës.

Ndërsa bëhëshin këto parashikime rreth copëtimit të Shqipërisë, Italia, duke


manevruar mjeshtërisht me të dy palët ndërluftonjëse, si edhe me Greqinë, e zuri
Sazanin që më 30 Tetor l9l4. Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë ua kishte kërkuar më
përpara pëlqimin, duke ua paraqitur këtë vepërim si një masë të nevojshme për
mprojtjen e Vlorës kundrejt Grekëvet. Kurse me Grekët ishte në marrëveshje për këtë
punë qëkur nisi t'iu lëshonte pe në Shqipërinë e jugës me Protokollin e Korfuzit. Nga
mbarimi i Dhjetorit 1914, duke qënë gjithmonë asnjanëse, Italia pushtoi edhe Vlorën.
Kështu që fuqitë e Entente-ës nuk mund të bënin tani plane për copëtimin e Shqipërisë
pa marrë pjesë edhe Italia në bisedimet. Pas hyrjes së Turqisë në luftë dhe me
zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjevet, u bind edhe Rusia se tokat e Shqipërisë s'mund
të ndahëshin ndërmjet Ballkanikëvet pa marrë edhe Italia pjesën e saj; sidomos kur
pritej që kjo të rreshtohej n'anën e Aliatëvet, kundër Perandorivet qendrore. Vetë Cari
i Rusisë, duke hapur një hartë gjeografike të Ballkanit, i tregoi Ambasadorit të
Francës në Petrograd, më 21 Nëntor 1914, planin e tij mbi copëtimin e Shqipërisë
ndërmjet Italisë dhe fqinjëvet ballkanike. Pas disa muajsh, më 29 Mars 1915, ministri
i Punëve të Jashtëme t'Italisë, baroni Sonnino, i paraqiti kolegut të tij britanik, Edward
Grey-t, një memorandum që përmbante edhe planin italian për copëtimin e Shqipërisë.
Mbasi, në vija të përgjithshme, plani i Italisë afrohej me atë të Rusisë, Franca dhe
Anglia nuk patën vështirësi për t'a pranuar. Bisedimet zgjatën disa javë, por më në
fund marrëveshja u arrit, dhe traktati i fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e
Shqipërisë, u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Entente-ës më 26 Prill 1915. Një muaj
më vonë, Italia iu shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë.

Sipas traktatit të fshehtë të Londrës, Italia do të merrte Vlorën, Sazanin dhe një pjesë
mjaft të gjerë përbrenda, që të siguronte mprojtjen e Vlorës. Shqipërinë e veriut do t'a
merrnin Serbia dhe Mali-i-Zi, kurse Greqisë i lihëshin krahinat e jugës. Shqipëria e
Mesme do të përbënte një shtet të vogël mysliman e autonom ndën protektoratin e
Italisë.

Le të shohim tani shkurtazi se nëpër çfarë peripetish kaloi Shqipëria gjatë Luftës.

Dy ditë pas ikjes së Vidit, Rebelët hynë në Durrës, më 5 Shtator, ku vendosën


"Këshillin e Përgjithshëm" të tyre ndën kryesinë e Mustafa Ndroqit. I pari vendim që
muarën, ishte që të nisnin për në Stamboll një dërgatë, e cila do t'i kërkonte Sulltanit
bashkimin e Shqipërisë me Turqinë ose dërgimin e një princi mysliman ndën
mvarësinë e tij. N'atë kohë Turqia po i shtrëngonte lidhjet me Austro-Hungarinë,
prandaj agjentët e saj iu këshillonin Rebelëvet që të merrnin anën e kësaj fuqie kundër
Serbisë. Një komision i ri turk arriti prej Stambolli, për t'i drejtuar forcat e Rebelëvet
në përputhje me politikën e Turqisë.
Gjendja në Shqipëri ishte e vajtuarshme. Në jugë, Grekët diqnin e piqnin. Malësitë e
veriut kishin rënë n'anarkinë e përhershme, për të pritur riardhjen e Serbo-Malazezve.
Një farë qetësie mbretëronte vetëm në Shkodër, ku vazhdonte akoma rregulli që pati
vënë Komisioni Ndërkombëtar. Rebelët u përpoqën t'a shtrinin fuqinë gjer këtu, të
ndihmuar nga disa turkomanë si Alush Lohja me shokë, por nuk mundën. Në qarkun e
Shkodrës ishin edhe Katolikët që loznin rolin e tyre. Prandaj, kur mori fund kontrolli i
Komisionit Ndërkombëtar, qytetarët formuan një këshill administrativ vendas duke
mbajtur flamurin kuq-e-zi dhe gjuhën shqipe nëpër zyrat. Kështu Shkodra mbeti për
ca kohë si e vetëmja strehë e lirë në tokën shqiptare, ku u mblodhën mjaft atdhetarë
t'ikur prej visevet të tjera të Shqipërisë.

Porsa u hap Lufta botërore, Esad Toptani u vërsul përsëri, kaloi prej Italie n'Athinë
dhe, prej këtej, në Nish ku ishte tërhequr n'atë kohë qeveria serbe. Me ndihmat
financiare dhe armatimin që mori prej Pashiçit, ai mblodhi në Dibër një fuqi
merçenarësh dhe zbriti në Durrës papritur, më 2 Tetor 1914. Pasi e detyroi "Këshillin
e Përgjithshëm" të Rebelëvet që t'i nënshtrohej, Esadi e shpalli vehten kryetar i
"qeverisë së përkohshme" dhe "kumandar i fuqivet t'armatosura" të Shqipërisë. Italia
shpejtoi të dërgonte menjëherë në Durrës, si përfaqësonjës pranë Esad Pashës, baron
Aliottin, ish-ministri i saj pranë Vidit.

Dhelparak si gjithnjë, Esadi i bëri të tijat parullat myslimane të Rebelëvet,


mallëngjimin e tyre për Turqinë dhe dëshirën për një princ mysliman. Por kjo
hipokrizi nuk mund të vazhdonte gjatë, sepse Esadi lidhej me fuqitë e Entente-
ës, sidomos me Serbinë, kurse Rebelët, të këshilluar prej Turqvet, mbanin anën e
Austro-Hungarisë. Punët erdhën në një pikë që duhëshin ndarë, kur Turqia, e lidhur
me Perandoritë qendrore, iu shpalli luftë fuqivet t'Entente-ës, më 2 Nëntor 1914, dhe
Sulltani iu bëri thirrje Myslimanëvet që të hidhëshin në luftë të shënjtë kundër
armiqve t'Osmanllisë. Agjentët turq i shtynin Rebelët që t'iu binin Serbëvet, kurse
Esad Toptani ishte në shërbim të Serbisë. Kjo gjendje nuk mund të vazhdonte. U
kuptua se Pashaj Toptanas donte të bëhej vetë princi i Shqipërisë, i përkrahur prej
fqinjëvet (Serbi, Greqi) dhe prej fuqivet t'Entente-ës, domethënë prej armiqve të
Turqisë.

Kështu, nga mbarimi i Nëntorit, Rebelët u kthyen kundër Esad Toptanit dhe iu ranë
fuqivet të tija. Haxhi Qamili i përzuri prej Tirane merçenarët e Esadit, që
kumandohëshin nga Xhelal Zogu e Dine Hoxha, dhe iu vuri zjarrë shtëpivet të Pashajt
Toptanas. Pas disa javësh, Rebelët ngrehën përsëri fuqinë e tyre në Shqipërinë e
Mesme dhe i vazhduan luftimet kundër Esadit, i cili u mbyll në Durrës me larot e vet.
Aty kishte ndihmën e luftanijevet italiane dhe vazhdoi lidhjet me fqinjët armike të
Shqipërisë.
Më vonë, Rebelët bënë një mbledhje në Krujë, ku e gargaritën edhe një herë
programin e bashkimit me Turqinë dhe iu dhanë një notë konsujvet të fuqivet të
mëdha, në Shkodër, për t'iu treguar se ata mbanin anën e Turqisë dhe të Perandorivet
qendrore. Rrëmuja e tyre vazhdoi gjer në verën e vitit 1915, si edhe luftimet herë pas
here kundër Esad Toptanit. Po edhe grindjet që patën me njëri-tjetrin nuk qenë të
pakta. Shpirti i keq i lëvizjes së këtyre të mallkuarve ishte myftiu i Tiranës, Musa
Qazimi. Natyrisht, fuqia e tyre nuk do t'ishte mbajtur dot në këmbë gjatë një viti, sikur
të mos drejtohej prej agjentëve turq me parulla fetare e me flamurin e Turqisë përpara,
e vetëmja ndëgjesë që mund të kishte kjo turmë e verbër.

Në fillim të Qërshorit l915, trupat serbe, duke hyrë nga ana e Dibrës, zbritën në
Shqipërinë e Mesme, pushtuan Elbasanin, Kavajën, Tiranën dhe iu afruan Durrësit.
Në bashkëpunim me Esad Toptanin, ato e shtypën lëvizjen e Rebelëvet, të cilën e
shikonin si një forcë në shërbim t'Austro-Hungarisë, dhe i kapën disa nga krerët e saj,
ndër ta edhe Haxhi Qamilin. Esadi ngriti një gjykatore të kryesuar prej Xhelal Zogut
për të dënuar me vdekje Haxhi Qamilin me shokë, të cilët edhe i vari. Serbët nuk hynë
në Durrës, për të mos zëmëruar Italinë, dhe shpallën se qeverimin e vendit do t'ia linin
mikut të tyre, Esad Toptanit.

Porsa që Serbët shkelën Shqipërinë e Mesme, Grekët mbanin krahinat e jugës dhe
Italianët Vlorën, Mali-i-Zi nuk mund të mbetej pas. U fut edhe ai nga ana e veriut, në
javën e dytë të Qërshorit dhe, pas disa përpjekjesh të parëndësishme, pushtoi
Shkodrën. Kështu u zhduk edhe ajo strehë e lirë që kishte mbetur n'atë çip të
Shqipërisë. Ushtëria malazeze i kapi si dhentë në vathë disa nga atdhetarët e shquar që
ishin mbledhur aty, Çerçis Topullin, Mustafa Qullin, Isa Buletinin, Dedë Gjo' Lulin,
Mehmet Shpendin, e të tjerë, edhe i vrau. Gjaku i Shqiptarëvet po rridhte rrëke në çdo
skaj të së mjerës Shqipëri.

Por këtë herë pushtimi serbo-malazias nuk vazhdoi gjatë. Bullgaria, e lidhur me
Perandoritë qendrore, i shpalli luftë Serbisë më 14 Tetor 1915. Në të njëjtën kohë,
Austro-Hungaria lëshoi ofensivën e madhe kundër Serbisë dhe Malit-të-Zi. Këtyreve
s'mundi t'iu vinte ndihmë prej aliatëve t'Entente-ës, ndonëse në muajin e Tetorit
Franca shkarkoi në Selanik njësitë e para t'Armatës së Lindjes. E vënë midis dy
zjarresh, Serbia u thye keqas dhe ushtëritë e saja filluan të tërhiqëshin në drejtim të
Shqipërisë, mbasi nga ana e Maqedonisë, në jugë, ua kishin prerë udhën Bullgarët. Në
Jenar të vitit 1916, u shua edhe qëndresa m'e fundit e Serbëvet, dhe ushtëria austro-
hungareze i dha një grusht të mirë Malit-të-Zi, i cili kërkoi menjëherë armëpushimin.
Mbeturitë e ushtërisë serbe u tërhoqën nëpër Shqipëri, pa i trazuar askush, sepse
rrugën ua mbante të hapur Esadi. Prej skelavet të Shqipërisë ato u hodhën në Korfuz,
dhe s'andejmi në Selanik, për t'u bashkuar me Armatën aliate të Lindjes.
Fuqitë austro-hungareze, duke ndjekur ushtërinë serbe, hynë në Shqipëri në Jenar të
vitit 1916 dhe zunë Shkodrën. Esad Toptani që iu kishte shpallur luftë gjoja Austro-
Hungarisë dhe Gjermanisë, u shtrëngua t'a linte Durrësin dhe të hidhej n'Itali. Por
duket se Italia nuk ia vari këtë radhë, jo vetëm pse ky urrehej prej gjithë Shqiptarëvet,
po edhe sepse ishte agjent i kujtdo dhe shumë i afërt me Serbët. Atëhere Esadi e gjeti
më të përfitimshme që të vihej në shërbim të Francës, e cila ishte edhe përkrahëse e
Serbisë. Prej France shkoi në Selanik, në Gusht 1916, ku formoi pranë Armatës së
Lindjes një trupë prej nja 500 merçenarësh shqiptarë nën kumandën e tij.

Ushtëria austriake, pas Shkodrës, zuri Durrësin, Tiranën dhe arriti n'Elbasan, ku kishin
hyrë Bullgarët. Pastaj zbriti nga juga gjer përtej Beratit e në Vjosë, ku nguli vijën e
frontit kundrejt ushtërisë italiane. Nga jugë-lindja u shtri gjer në Pogradec, përballë
fuqivet greke.

Një "politikë zgjerimi" deshën t'a bënin në Shqipëri edhe Bullgarët, duke kujtuar me
mallëngjim traktatin e Shën-Stefanit ose Perandorinë e tyre mesjetare, por e panë që
s'kishin asnjë bazë pështetjeje. Ushtëria austriake i detyroi t'a zbraznin Elbasanin dhe
të prapsëshin më tutje, nga lindja.

Zbritjen e ushtërivet austro-hungareze, të cilat, bashkë me Kosovën, pushtuan edhe dy


të tretat e Shqipërisë politike, Shqiptarët e pritën me gëzim, për shumë arësye: sepse
ato e çliruan vendin prej Serbo-Malazezvet duke ngjallur shpresat e krijimit të
Shqipërisë ethnike, dhe sepse Austro-Hungaria shikohej prej të gjithëve si mprojtësja
e Shqipërisë. Atdhetarët u vunë në lëvizje për të rimëkëmbur shtetin shqiptar të lirë,
ku do të përfshihëshin Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, dhe për të kërkuar këthimin e
Vidit, i cili nuk kishte abdikuar. U caktua të mblidhej një kuvend i madh kombëtar
n'Elbasan, më 18 të Marsit l9l6, për të vendosur mbi këtë program vepërimi dhe për të
formuar mundësisht një qeveri shqiptare. Në krye të lëvizjes u vu Aqif Pashë Biçaku
(Elbasani), ish-ministër i Punëve të Brendëshme në qeverinë e Vidit.

Kumanda austriake desh t'a shfrytëzonte miqësinë e Shqiptarëvet për interesat e luftës,
bëri disa shpallje me anën e të cilavet njoftonte se Austro-Hungarezët kishin ardhur si
miq, dhe se Shqiptarët duhej t'i ndihmonin për të dëbuar prej vendit të tyre armiqtë e
përbashkët. Propagandën e miqësisë dhe të bashkëpunimit nisi t'a bënte sidomos
gazeta shqipe "Vllazënija" që delte në Vienë. Disa krerë e bajraktarë të malësivet të
veriut u vunë menjëherë në shërbim t'ushtërisë austro-hungareze. Mirë po kur erdhi
puna e mbledhjes së kuvendit kombëtar, i cili kishte për qëllim rimëkëmbjen e shtetit
dhe formimin e një qeverie, autoritetet austriake e ndaluan. Pas pak, zunë t'i arrestonin
disa nga krerët e lëvizjes dhe t'i internonin n'Austri. Megjithatë, flamuri i Shqipërisë u
ngrit lirisht dhe administrata u organizua me nëpunës shqiptarë duke përdorur shqipen
si gjuhë zyrtare.
Austria, si edhe më parë, i dha përkrahje zhvillimit kulturor të Shqiptarëvet, ndihmoi
hapjen e shkollavet shqipe kudo, edhe në Kosovë, formoi Komisionin Letrar për
lavrimin e gjuhës dhe përpunimin e tekstevet shkollorë, dërgoi me bursa studimi nëpër
shkolla austriake mjaft djelmosha shqiptarë. (Në të vërtetën, pa një pregatitje
kulturore, ishte e kotë që të mendohej për një shtet shqiptar, dhe Austria e kuptonte
mirë rëndësinë e këtij faktori). Qendra e administratës civile u vendos në Shkodër, me
drejtoritë e përgjithshme t'Arësimit, të Drejtësisë dhe të Financavet, nën mbikqyrjen e
përfaqësonjësit austriak, August Kral. Edhe pse e drejtuar prej Austriakësh,
administrata vlejti si një shkollë praktike për t'iu mësuar nëpunësve shqiptarë metodat
e reja dhe për t'a bërë shqipen më të përdorshme nëpër zyrat. Që të mund të
vetqeverisëshin, Shqiptarët kishin nevojë t'edukohëshin, përpara së gjithash.

Por mbasi Austria nuk po e shikonte Shqipërinë si një shtet më vehte, as nuk po e
tregonte mendimin e saj se qysh do të rregullohej ky vend në t'ardhmen, atdhetarët
nisën të shqetësohëshin dhe t'a tregonin haptas, në mos kundërshtimin, pakënaqësinë e
tyre. Patën bërë disa herë kërkesa e protesta, dhe një pjesë e atyre që qenë shtytur pak
si tutje në bashkëpunimin me ushtërinë austriake, filloi të largohej. Atëhere për të
fituar besimin, kumanda e lartë austro-hungareze, më 23 Jenar 1917, me rastin e
përvjetorit të hyrjes s'ushtërisë së saj në Shkodër, bëri një shpallje zyrtare ku thuhej se
Austro-Hungaria do t'i jepte Shqipërisë "autonominë", duke e lënë çështjen e
pavarësisë për më vonë, kur të krijohëshin kushtet e duhura dhe kur Shqiptarët t'ishin
më të pregatitur. Ky premtim nuk i kënaqi fort atdhetarët shqiptarë, të cilët vazhduan
të kërkonin pavarësinë me anë protestash dhe manifestimesh. Më 7 Mars 1918,
përvjetori i ardhjes së Vidit në Shqipëri, u bënë manifestime në zonën e pushtimit
austriak për të kërkuar këthimin e Princit, i cili simbolizonte pavarësinë kombëtare.

Mbasi Greqia, gjer në Qërshor 1917, qëndroi asnjanëse dhe mbreti Konstandin prirej
nga Perandoritë qendrore, ushtëria austriake nuk hyri në zonën e pushtuar prej
Grekëvet. Por kuptohej se politika e Venizellos, e lidhur me fuqitë e Entente-ës, do t'a
hidhte më në fund Greqinë n'anën e tyre. Prandaj Austro-Hungaria iu dha përkrahje
Shqiptarëvet që përpiqëshin për të dëbuar Grekët prej rrethevet të Korçës. Çetat e Sali
Butkës u armatosën dhe u ndihmuan prej kumandës austriake.

E dyta fuqi pushtonjëse e Shqipërisë gjatë Luftës së Parë botërore ishte Italia. Kjo e
pati zënë Vlorën që në mbarim të Dhjetorit 1914, kur s'kishte hyrë akoma në luftë. Por
fuqitë e shumëta i shkarkoi në Shqipëri gjatë vitit 1916, për t'i bërë kundër-peshë
ushtërisë austro-hungareze. N'atë kohë, pjesa m'e madhe e Toskërisë ishte e pushtuar
prej trupavet greke të mbretit Kostandin. Greqia i quante krahina të sajat Korçën dhe
Gjirokastrën qysh se, në Jenar të vitit 1916, kishte vendosur që "deputetët" e "Vorio-
Epirit" të bënin pjesë në parlamentin grek. Mirëpo Italia nuk desh të pengohej në
Shqipërinë e jugës prej ushtërivet greke dhe i pëlqente t'ishte në pozita më të forta për
të shkëputur për vehte copën më të madhe kur të ndahej vendi në mbarim të Luftës.
Mbasi Greqia qëndronte akoma asnjanëse, ushtëria italiane kishte edhe një arësye
tjetër, strategjike, për t'u ndërlidhur me frontin aliat të Selanikut nëpër rrugën tokësore
që niste prej Sarande dhe kalonte nga Kalibaqi e Korça. Prandaj, në Gusht 1916,
ushtëria italiane u vu t'i përzinte Grekët nga Shqipëria jugore dhe pushtoi me radhë
Gjirokastrën, Sarandën, Tepelenën, Këlcyrën, Përmetin; disa muaj më vonë, në fillim
të vitit 1917, zuri Leskovikun, Ersekën, dhe bëri pjekje me trupat frënge në Qafën e
Qarrit. Kështu Italia i shporri Grekët prej asaj pjese t'Epirit q'e kishin bërë gjak e
gërmadhë.

E treta fuqi pushtonjëse e Shqipërisë u bë Franca. Disa trupa t'Armatës frënge të


Lindjes, me qendrën në Selanik, zunë Korçën në Tetor të vitit 1916 dhe u shtrinë nga
Perëndimi gjer në Gorë e Opar. Kështu vija e frontit midis dy palëvet ndërluftonjëse
(Italia e Franca, nga juga, Austro-Hungaria, nga veriu) ndiqte anën e Vjosës, në veri të
Vlorës, kalonte nëpër Mallakastër, Skrapar, Tomorricë, Vërçë, Mokër e delte në
Pogradec. Dhe, me fort pak ndryshime, mbeti aty pothuajse gjer në mbarim të Luftës.

Kur ushtëria frënge zuri Korçën, Greqia ishte e ndarë, siç thamë, në dy parti
kundërshtare: n'atë të mbretit Kostandin, që anonte nga Perandoritë qendrore, dhe
n'atë të Venizellos, që mbante nga Aliatët. Në Shtator 1916 Venizelloja kishte
formuar një qeveri më vehte në Selanik, kundër asaj s'Athinës. Prandaj kumanda
frënge i përzuri prej Korçe ushtarakët e Kostandinit dhe ua lëshoi administratën e atij
qarku partizanëvet të Venizellos. Ky dërgoi si prefekt në Korçë një të besuarin e tij,
Argjiropullos, dhe si fuqi një batalion ushtarësh.

Mirëpo lëvizja shqiptare për çlirimin e Korçës po bëhej gjithmonë m'e fortë. Përveç
qëndresës së Myslimanëvet, Korça shquhej për gjallërinë e atdhetarëvet orthodoks, të
cilët qenë përpjekur me aq guxim për çeljen e shkollavet shqipe dhe u dalluan kudo në
fushën e veprimtarisë kombëtare. Një prej këtyre ishte Themistokli Gërmenji q'e kemi
përmendur më sipër. Pas ripushtimit të Korçës prej Grekëvet, në verën e vitit 1914,
Themistokliu kishte shkuar në Sofje. U kthye që andej më 1916, kur ushtëritë austro-
hungareze dhe bullgare kishin hyrë në Shqipëri, dhe kur ai mendonte se mund të bëhej
diçka për të çliruar krahinat jugore t'atdheut. Duke gjetur një mbështetje të parë në
çetat e Sali Butkës, Themistokliu e zgjeroi rrethin e vepërimit, dhe lëvizja kombëtare
në qarkun e Korçës u bë kërcënonjëse për Grekët.

Kumanda frënge ishte në dijeni të gjendjes, dhe nuk donte që në zonën ushtarake të
saj të vazhdonin trubullimet ndërmjet Shqiptarëve e Grekëve, gjë që do t'i nxirte mjaft
ngatërresa, se Shqiptarët mund të ndihmohëshin me armë e mjete prej Austriakëvet.
Pastaj n'atë kohë ushtëria frënge s'po shihte ndonjë dobi nga Grekët, të çarë siç ishin
në dy parti. Kurse po t'ua linte administratën e Korçës Shqiptarëvet, që ishin të zotët e
vendit, jo vetëm që do t'i kishte prapavijat të sigurta dhe s'do t'i duhej asnjë fuqi për të
mbajtur rregullin n'atë krahinë, po edhe mund t'i përdorte Shqiptarët si një forcë
n'interes të saj në vend që t'i bënte të hidhëshin në duart e Austro-Hungarezëvet. Këtë
llogari të thjeshtë e tregon vetë në shkrimet e tija të pastajme koloneli Descoins
kumandari i trupavet frënge në Korçë.

Kështu, duke shikuar më fort interesat e saja ushtarake se sa lëmshin e koklavitur të


politikës së Parisit, kumanda frënge, për t'a qetësuar krahinën, i përzuri prej Korçe
edhe Grekët venizellistë edh' erdhi në marrëveshje me Shqiptarët. Më 10 Dhjetor
1916, u nënshkrua një protokoll ndërmjet kolonelit Descoins dhe përfaqësonjësve të
Korçës, me një përmbajtje që i njihte krahinës autonominë dhe e linte administratën e
saj në duart e Shqiptarëvet. U formua menjëherë një këshill administrativ prej 14
vetash, nën drejtimin e Themistokli Gërmenjit, dhe u hartuan rregulloret për degët e
ndryshme t'administratës. Sipas marrëveshjes me kumandën frënge, gjuha zyrtare e
krahinës do t'ishte shqipja, administrata, arësimi, financat, gjyqet, do t'ishin në duart e
këshillit, i cili do të krijonte edhe një gjindarmëri shqiptare për të mbajtur rregullin.
Flamuri i krahinës autonome do t'ishte ai i Shqipërisë, por bashkë me një shirit të
tringjyrëshit të Francës. Do të formohej me Shqiptarë një regjiment këmbësorie nën
urdhërat e kumandës frënge, i cili do të shërbente pranë kësaj si një fuqi e vogël aliate.
Ky regjiment u shqua për trimëri dhe u çmua prej shtabit t'Armatës së Lindjes si një
nga më të mirët që kishte ushtëria frënge.

Përzënia e Grekëvet prej Korçe dhe kalimi i administratës s'asaj krahine në duart e
Shqiptarëvet ishte si një çap i parë drejt rimëkëmbjes së shtetit shqiptar të 1913-ës.
Me këtë vepërim, lëvizja kombëtare, përbrenda, forcohej, dhe plani i copëtimit, për
diplomacinë e jashtëme, vihej si një çështje për t'u rishikuar. Grekët ishin të parët që e
kuptonin këtë gjë, prandaj bënë përçapje energjike pranë ministrisë frënge të Punëve
të Jashtëme, e cila i kërkoi menjëherë shpjegime kumandës s'Armatës së Lindjes në
Selanik. Por duket se gjenerali Sarrail shikonte më shumë nevojat e luftës se sa ato të
politikës, prandaj, me një farë përçmimi që kanë zakonisht ushtarakët për diplomatët,
iu përgjigj Ministrisë së Punëve të Jashtëme shkurtazi dhe prerë: "Korça deshi t'ishte
autonome dhe ashtu u bë. Tani n'atë krahinë ka qetësi e rregull".

Këshilli administrativ i Korçës e qeverisi vendin në një mënyrë shembullore. Shkollat


greqishte u mbyllën. Në vend të tyre u hapën nja 60 shkolla fillore shqipe për tërë
qarkun dhe një shkollë e mesme brenda në qytet. Drejtësia u vu e rregullt. Të hyrat e
të dalat financiare u organizuan aq mirë sa që buxheti tepëroi. Themistokliu ishte
atdhetar i pastër, dhe jo vetëm që dha shembullin e qeverisjes më të ndershme, po
edhe u mundua të pajtonte shpirtrat e elementeve të të dy fevet në frymën e
vëllazërimit kombëtar. Autonomia e Korçës u prit mirë në tërë Shqipërinë. Dhe
ndoshta ishte ajo që e shtyti më shumë kumandën austro-hungareze të bënte në zonën
e saj një premtim t'autonomisë shqiptare, më 23 Jenar 1917.
Mjerisht, punët muarën një tjetër rrjedhë. Ndën shtrëngimin e Aliatëvet, mbreti
Kostandin i Greqisë abdikoi duke ia lënë fronin të birit, Aleksandrit I, i cili thirri në
fuqi qeverinë e Venizellos dhe ky iu shpalli luftë Perandorivet qendrore, më 29
Qërshor 1917. Atëhere qëndrimi i Frënqvet kundrejt krahinës autonome të Korçës
ndryshoi. Me urdhër të Parisit, ata filluan të përkrahnin përsëri Grekët dhe të lejonin
hapjen e shkollavet greqishte duke iu nxjerrë pengime Shqiptarëvet. Grekëve e
grekomanëve iu shërbente edhe Esad Toptani me disa bejlerë të rrethit të tij. Më në
fund, me shtytjen e qeverisë s'Athinës dhe duke u pështetur në kallëzimet shpifarake
të grekomanëvet, Frënqtë e arrestuan Themistokli Gërmënjin, se gjoja ishte në lidhje
të fshehta me Austro-Hungarezë e Bullgarë, dhe e hoqën në Selanik, ku gjyqi ushtarak
i Armatës së Lindjes e dënoi me vdekje. Theror i idealit të tij dhe i denjë gjer përpara
vdekjes, Themistokliu u pushkatua më 9 Nëntor 1917. Me atë, lëvizja kombëtare
humbiste një burrë nga më të vlefshmit.

Kumanda frënge e prishi marrëveshjen me këshillin shqiptar, më 16 Shkurt 1918, dhe


e mori vetë në dorë administratën e Korçës. Por Grekët nuk i lejoi që të hynin përsëri
n'atë krahinë, shkollat shqipe nuk i mbylli dhe nëpunësit shqiptarë t'administratës i
mbajti, si edhe gjindarmërinë shqiptare. Flamuri shqiptar vazhdoi të ngrihej bashkë
me atë të Francës.

Përveç krahinës së Korçës, dhe pjesës më të madhe të vendit që ndodhej ndën


ushtërinë austro-hungareze, ishte edhe zona e pushtimit italian, e cila kishte shumë
rëndësi për t'ardhmen e kombit shqiptar sepse Italia do të mbetej, pas fitores
s'Aliatëvet, shteti m'i interesuar për Shqipërinë. Më 3 Qërshor 1917, në përvjetorin e
Kushtetutës s'Italisë, kumandari i përgjithshëm i ushtërisë italiane në Shqipëri,
gjenerali Ferrero, n'emër të qeverisë së Romës, bëri në Gjirokastër një shpallje
drejtuar gjithë Shqiptarëvet, me anën e së cilës siguronte bashkimin dhe pavarësinë e
tërë Shqipërisë ndën mprojtjen e Mbretërisë s'Italisë. Menjëherë pas shpalljes, u ngrit
në Gjirokastër flamuri shqiptar dhe u bënë disa manifestime. Italianët filluan të hapnin
shkolla, ku shqipja mësohej bashkë me italishten. Duket se n'atë kohë Italia e kishte
vënë në mendje që t'a përfshinte të tërë Shqipërinë në sferën e saj, pa iu dhënë gjë
fqinjëvet ballkanase. Prandaj edhe shpalljen e bëri qëllimisht në Gjirokastër, qëndra e
intrigavet të Grekëvet dhe të grekomanëvet. Ngaha i erdhi ky guxim? Ndoshta sepse
Rusia, përkrahësja e Serbisë, u paralizua prej revolucionit të brendshëm, dhe se
Greqia, deri atëhere, s'kishte marrë akoma pjesë në luftë.

Disa ditë pas shpalljes së gjeneralit Ferrero, ministri italian i Punëvet të Jashtëme,
baroni Sonnino, duke dhënë shpjegime në parlament mbi çështjen shqiptare, theksoi
se Vlora me rrethet do t'aneksohëshin dhe se vetëm pjesët e tjera të Shqipërisë do të
përbënin një shtet gjoja të pavarur, ndën mprojtjen e Italisë. Kjo ishte politika kundrejt
Shqipërisë që desh të ndiqte Italia në Konferencën e Paqes, siç do t'a shohim më
poshtë.
Në dy-tre vjetët e fundit të Luftës së Parë botërore, pushtimi i krejt Shqipërisë prej
ushtërivet austriake, italiane e frënge, ndonëse e bëri vendin shesh betejash e
dëmtimesh dhe shkaktoi aq humbje e vdekje prej epidemivet që u përhapën, kur e
krahasojmë me gjendjen e mëparëshme, mund të thuhet se qe një periudhë m'e mirë
nga ç'patën hequr Shqiptarët ç'prej Luftës ballkanike. Shërbimi m'i madh që i prunë
vendit ushtëritë evropiane, ishte që e liruan prej Serbo-Malazezvet dhe Grekëvet.
Gjithkush u kthye në vatrën e tij ose në gërmadhën e djegur për të rifilluar jetesën.
Ushtëritë evropiane, përveç që iu mësuan Shqiptarëvet administratën e rregullt dhe
çelën mjaft shkolla shqipe, sidomos Austriakët, ndreqën edhe ca rruga e ura për
nevojat e tyre dhe lanë mjaft material, i cili vlente shumë në një vend aq të varfër sa
Shqipëria.

Por vuajtjet e atij populli të mjerë, gjithmonë nëpër këmbët e të huajvet, ishin si fazat
e një sëmundjeje kronike që vazhdon e paprerë. Të dëbuar prej Korçe dhe Gjirokastre,
Grekëve s'iu mbetej tjetër viktimë se ku t'i shfrenin instinktet e tyre shtazore veçse
mbi popullin e Çamërisë. Në Mars të vitit 1917, terrori i bandavet greke në Çamëri
arriti në një shkallë t'atillë sa që katërqind familje orthodokse shqiptare u ngritën me
armë në dorë kundër autoriteteve të Janinës, duke kërkuar që t'iu jepej fund vrasjevet
dhe tmerrevet kundrejt Shqiptarëvet myslimanë. Qeveria e Athinës, me anën e terrorit,
donte t'ua bënte këtyreve të fundit jetën të pamundur, për t'i shtrënguar që të braktisin
vatrat stërgjyshore e t'iknin. Këto "metoda" Greqia i ndoqi vazhdimisht kundrejt
popullsisë shqiptare të Çamërisë, gjersa e zhdukën pothuajse krejt pjesën myslimane.

Kur Lufta e Parë botërore kishte hyrë në fazën e fundit dhe nuk dihej akoma se çfarë
peripetish do të ndiqte drami shqiptar, plasi si një bombë dalja në shesh e traktatit të
fshehtë të Londrës. Kjo ndodhi nga mbarimi i vitit 1917, kur Bolshevikët, në Rusi,
pasi muarën fuqinë me Revolucionin e Tetorit, botuan arkivat e fshehta të ministrisë
së Carit. Përmbajtja e atij traktati famëkeq u botua menjëherë prej autoritetevet austro-
hungareze në gazetat shqipe të zonës së tyre, dhe u përhap në tërë botën. Plani i
copëtimit të Shqipërisë ia griste maskën demagogjisë s'Aliatëvet që bërtisnin se gjoja
luftonin për lirinë e popujvet. Shqiptarët po e shihnin tani se ç'fat i priste. Prandaj u
vunë menjëherë në lëvizje për t'i dalë zot tërësisë s'atdheut. Në këtë fushatë, u dallua
sidomos Federata Panshqiptare Vatra, e Amerikës. Ajo mund të bënte diçka më
shumë në botën e jashtëme, jo vetëm se kishte mjete, po edhe sepse Shtetet-e-
Bashkuar, që patën hyrë në Luftë përkrah Aliatëvet më 2 Prill 1917, s'ishin të lidhur
me traktatin e fshehtë të Londrës. Mandej Presidenti Wilson ishte idealist i paqes.

Lufta e Parë botërore mbaroi në Nëntor të vitit 1918. Duke ndjekur ushtërinë austro-
hungareze në tërheqje, Italianët pushtuan tërë Shqipërinë e Mesme dhe pjesën më të
madhe të Shqipërisë së veriut. Frënqtë mbajtën vetëm qarkun e Korçës gjer në
Pogradec. Por dërguan disa reparte në Shkodër, e cila u vu përsëri nën kontrollin ndër-
aliat, siç kishte qënë përpara Luftës, gjersa të vendosej se kujt do t'i binte në pjesë. Si
kumandar i fuqisë ndërkombëtare të Shkodrës u caktua gjenerali frëng de Fourtou.
Kurse Serbët, me pëlqimin e gjeneralit frëng Franchet d'Espërey, kumandari i
ushtërive aliate të Lindjes, u ngulën përsëri në vijën "strategjike" mb'atë anë Drinit, në
një zonë që përfshinte rrethet e Peshkopisë, të Kukësit, dhe arrinte gjer në malësinë e
Kelmendit. Grekët nuk mundën të përparonin me ushtëri në tokat shqiptare, mbasi
krahinat e jugës ndodhëshin të pushtuara prej Italianëve dhe Frënqve.

Konferenca e Paqes u hap në Paris më 18 Jenar 1919. Përveç fuqive të mëdha


evropiane - Angli, Francë, Itali - merrnin pjesë Shtetet-e-Bashkuar t'Amerikës dhe
Japonia. Megjithë deklaratën e Kryeministrit t'Anglisë, Lloyd George, dhe shpalljen e
"14 pikavet" të Presidentit Wilson t'Amerikës, fryma që mbizotëronte në Konferencën
e Paqes ishte ajo e imperializmit të zakonshëm, e ndarjes së botës në zona ndikimi e
shfrytëzimi, në bazë t'ekuilibrit të forcavet. As nuk mund të pritej që Georges
Clemenceau-j i Francës (i mbiquajtur "Tigër") dhe Lloyd George-i i Anglisë të kishin
një tjetër mendësi e plan për ndërtimin e botës. Është e vërtetë se, pas Luftës, dolën
disa shtete të pavarur n'Evropën qendrore e lindore, por ajo u bë për t'i shkëputur ata
popuj prej sundimit gjermano-austriak e prej Rusisë bolshevike, dhe për t'i lidhur pas
Franko-Britanikëvet. Politika frënge krijoi edhe Jugosllavinë e madhe, me bashkimin
e Serbve, Malazezve, Kroatëve e Sllovenëve në një shtet të vetëm, për t'ia vënë si një
pengesë racës gjermane n'Evropën e jugë-lindjes. Sa për "14 pikat" e Wilson-it, që
mpronin të drejtën e pavarësisë politike për të gjithë kombet, të mëdhenj e të vegjël,
mbetën pothuajse edhe ato si një "parim i shënjtë" në botën e realitetevet.

Në mbarimin e Luftës, Shqiptarët i shtuan përpjekjet për t'i dalë zot vendit të tyre, por
s'kishin as këtë radhë një qendër as program të përbashkët. Përveç kolonivet
t'Amerikës, të Rumanisë, të Turqisë etj., bënin zhurmë përjashta edhe grupet e
refugjatëve politikë që kishin qëndruar n'Itali e në Zvicër gjatë Luftës. Pjesa m'e
madhe e këtyre të fundit përgjithësisht bejlerë, mbahej me politikën italiane.
N'Amerikë, Federata Panshqiptare "Vatra" dhe "Partia Politike Kombëtare"
përpiqëshin me anë thirrjesh e protestash t'a kundërshtonin planin e copëtimit, por as
këto nuk shihnin mënyrë tjetër sesi mund t'iu qëndrohej fqinjëvet ballkanike pa
përkrahjen e Italisë. Edhe në Shqipëri brenda, atdhetarët ishin vënë në lëvizje, po ç'të
bënin dhe kujt t'i drejtohëshin? Kosovarët e mërguar formuan një komitet të quajtur
"Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", me qendrën në Shkodër. Të tjerë grupe formonin të
tjerë komitete, por delte gjithmonë e njëjta pyetje: ç'duhej bërë?

Duke parë se Shqiptarët s'kishin nga të mbanin, Italia u mundua t'i tërhiqte n'anë të saj
nëpërmjet premtimesh të lira, por pa hequr dorë as nga aneksimi i Vlorës as nga
qëllimi i protektoratit mbi pjesën tjetër të vendit. Kurse Shqiptarët vetë, mënjanë
grindëshin midis tyre duke e paditur pala palën si agjentë t'Italisë, n'anën tjetër, ngado
që të këthehëshin, do të përpiqeshin tek Italia. E vërteta ishte se, kundrejt copëtimit
më trish që vuloste zhdukjen e Shqipërisë përgjithmonë, mbetja e tërë vendit ndën
Italinë paraqitej si e keqja më pak e keqe. Pastaj marrëdhëniet me Italinë ishin të
përditshme, mbasi ajo ndodhej me ushtëri pothuajse në tërë Shqipërinë. Por mendimet
e Shqiptarëvet në lidhje me politikën italiane ndryshonin në këtë pikë: pala e
atdhetarëvet më të guximshëm ngulmonte se i duhej kërkuar Italisë që të hiqte dorë
prej Shqipërie dhe t'i jepte kësaj përkrahjen kundrejt fqinjëvet. Ajo mendonte se
ndërmjet Italisë, nga njëra anë, Jugosllavisë dhe Greqisë, nga tjetra, kishte mjaft
kundërshti (kontradikta) interesash, e prandaj Italianët, pavarësisht nga qëndrimi i
Shqiptarëvet kundrejt tyre, do të detyroheshin t'i jepnin përkrahjen Shqipërisë. Kurse
pala e bejlerëvet të mëdhenj (zakonisht më politikanë) mendonte se Italisë i duhëshin
bërë disa lëshime (por pa shkuar gjer tek njohja e aneksimit të Vlorës), sepse vetëm
nën hijen e asaj mund të formonin Shqiptarët një qeveri dhe mund të paraqitëshin në
Konferencën e Paqes. Formimi i një qeverie ishte puna m'e ngutëshme, se përndryshe
s'kish sesi të dëgjohej zëri i Shqipërisë atje ku ndahej fati i popujvet. Krijimin e një
përfaqësie të ligjshme shqiptare, por të lidhur pas rrotavet të saja, e donte edhe Italia
për t'a përdorur në Konferencën e Paqes për qëllimet e veta. Kjo nevojë bëhej m'e
ndieshme akoma kur dihej se Esad Toptani, në shërbim të Jugosllavisë e i përkrahur
prej Francës, ishte shtruar në Paris dhe e paraqiste vehten si "qeveri legale" e
Shqipërisë.

Për këto arësye, me bekimin e Italisë u mblodh në Durrës, ish-kryeqytetin, një lloj
kuvendi kombëtar prej të cilit do të krijohej një organ shtetëror. Të dërguarët, rreth 50
vetash, kishin ardhur nga viset që ndodhëshin ndën pushtimin italian (përveç Vlorës);
mungonin gjithashtu përfaqësonjësit e krahinavet të zëna prej ushtërivet frënge e
serbe. Kuvendi u hap më 25 të Dhjetorit 1918 dhe nxori prej gjirit të tij një qeveri të
përkohshme nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, i cili kish kryesuar edhe qeverinë
e Vidit më 1914. Italinët patën kërkuar që të formohej vetëm një "këshill kombëtar",
por- Shqiptarët e mbledhur në kuvend anonin më fort nga pavarësia dhe e drejta e
vetvendosjes, prandaj ngrehën një qeveri. Dhe për t'a bërë këtë të pranuarshme prej
Italisë, emëruan si ministra disa miq të saj, Myfit Libohovën, Mustafa Krujën, Fejzi
Alizotin, e të tjerë. Kuvendi i Durrësit caktoi edhe komisionin që do të shkonte në
Konferencën e Paqes, dhe i ngarkoi qeverisë si detyrë që të kërkonte jo vetëm
pavarësinë kombëtare, por edhe ndreqjen e padrejtësivet tokësore që i qenë bërë
Shqipërisë prej Konferencës së Londrës dhe Kongresit të Berlinit.

Ndonëse Italia ngurroi për t'a njohur këtë qeveri dhe, në fillim, nuk desh t'a përfillte,
dërgata shqiptare, e përbërë prej Turhan Pashës, Mehmet Konitzës, Imzot Bumçit, Dr.
Mihal Turtullit dhe Midhat Frashërit, u nis për në Konferencën e Paqes, në Paris. Më
15 të Shkurtit i paraqiti Konferencës memorandumin e parë me kërkesat shqiptare
dhe, pas nja dhjetë ditësh, më 24 Shkurt, një memorandum të dytë "Këshillit të Lartë"
të pesë fuqivet të mëdha, që pati edhe mirësinë t'a dëgjonte. Në të dy rastet, dërgata
shqiptare pavarësinë e Shqipërisë e paraqiti si një çështje të vendosur që më 1913, dhe
kërkoi ndreqjen e gabimevet të bëra në dëm të saj prej Kongresit të Berlinit dhe
Konferencës së Londrës, që iu patën njohur shtetevet fqinjë krahina të banuara
tërësisht prej Shqiptarësh. Pa e prekur drejtpërdrejt Italinë, dërgata shqiptare kritikoi
lakmitë e pangopshme të fqinjëvet ballkanike dhe mënyrat e tyre kundrejt Shqipërisë.
"Unë jam vetë i krishter orthodoks prej Korçe", foli Dr. Turtulli përpara Këshillit të të
pesëve, "dhe ua them me ndërgjegje se në tërë qarkun e Korçës nuk ka asnjë Grek...
Epiri s'ka qënë kurrë pjesë e Greqisë... Por Grekët quajnë "Grekë" Shqiptarët e fesë
orthodokse... Ngjarjet e 1914-s u organizuan dhe u drejtuan prej oficerësh grekë.
Zografi dhe Karapanoja, që i kryesonin, janë Grekë. Ata përdorën si mjet andartët
keqbërës të Gjiritit dhe ushtarë grekë që s'kishin xhveshur as uniformat".

Mirëpo "gjyqi" i fuqivet të mëdha i ngjan atij të përrallës së La Fontaine-it në


"Kafshët e sëmura nga murtaja". Aty nuk dëgjohet ai që ka të drejtë, por ndahen
çështjet sipas interesit të më të mëdhenjvet, në përpjesëtim me forcën e secilit.
Paraqitja e popujve të vegjël (ose të dobët) luhet si një komedi rituale për t'i hedhur hi
syvet opinionit të masavet. Sepse, në të vërtetën, kur flasin përfaqësonjësit e tyre
përpara këshillit të të mëdhenjvet, askush prej antarëvet mjekërr-nderuar të këtij s'e ka
mendjen aty: njëri dremit, tjetrit i vinë gogësima, i treti kujton ndonjë aventurë... e
kështu me radhë. Dhe s'kanë sesi t'a lodhin mendjen duke dëgjuar mbasi ata do të
vendosin sipas udhëzimevet që marrin prej ministrivet të tyre dhe jo në bazë të së
vërtetës që duan të provojnë popujt e vegjël. Në rastin e Shqipërisë, interesat e të
mëdhenjvet gjenin edhe një tjetër arësye se ku të pështetëshin: pas ngjarjevet fatkeqe
të vjetëvet 1913-1914, askush nuk besonte më në kombësinë shqiptare ose në zotësinë
e kësaj për t'u vetqeverisur. Prandaj të mëdhenjtë, sidomos Franca e Anglia, e kishin
ndarë mendjen që problemin e Shqipërisë t'a rregullonin sipas traktatit të fshehtë të
Londrës.

Sa për shtetet drejtpërdrejt t'interesuar, domethënë Itali, Greqi e Jugosllavi, mbanin


secili qëndrimin e vet. Italia, pasi të merrte Vlorën me një zonë rreth e qark, donte që
pjesët e tjera të Shqipërisë, brenda kufijvet të l9l3-ës, të formonin një shtet shqiptar
nën mprojtjen e saj. Greqia, në memorandumin që i paraqiti Konferencës së Paqes,
kërkonte prej Shqipërie Korçën dhe Gjirokastrën, duke u pështetur jo në kombësinë,
por në "ndjenjat" e popullsisë së këtyre krahinave dhe në "lartësinë e qytetërimit
helenik". Venizelloja nuk e mohonte se Shqiptarët orthodoks flisnin shqip në familjet
e tyre. Por ndjenjat, thoshte ai, i kanë greke. Sipas atij, gjuha dhe raca s'kishin rëndësi:
ajo që duhej marrë parasysh ishte ndërgjegjia kombëtare. Dhe sillte si shembuj disa
nga heronjt e Kryengritjes greke, të cilët, ndonëse Shqiptarë me gjuhë e fis, kishin
qënë Grekë me ndjenja.

Kurse Jugosllavia, që loste një kartë më të madhe, mbajti një qëndrim të ndryshëm:
ajo kishte më shumë interes që të mos hidhej Italia në Ballkan, se sa të merrte vetë një
copë prej Shqipërisë-së veriut. Jugosllavia me Italinë do të hahëshin kështu e tutje për
sundimin e Adriatikut, si dikur Austro-Hungaria me Italinë. Prandaj Jugosllavia donte
njëherë t'a mbante Italinë përtej detit, pastaj shtetin shqiptar mund t'a shkallmonte ca
nga ca, ashtu si provoi më vonë. Për këto arësye, Jugosllavia s'kërkonte gjë për vehte
nëqoftëse edhe të tjerët nuk kërkonin, dhe propozoi njohjen e shtetit shqiptar të
pavarur me kufijtë e 1913-ës. Por nëqoftëse të tjerët nuk e pranonin këtë propozim,
atëhere kërkonte edhe ajo pjesën e saj: Shqipërinë e veriut gjer në Drin, duke premtuar
se qytetit të Shkodrës do t'i linte një farë autonomie.

Nga fuqitë e mëdha, Shqiptarët prisnin që të përkrahëshin të paktën prej Amerikës,


mbasi ajo s'e kishte nënshkruar traktatin e fshehtë të Londrës dhe se "14 pikat" e
Wilson-it ishin në të mirë të popujve të vegjël. Por Amerika s'mund t'i binte ndesh
politikës së fuqivet të mëdha evropiane, sidomos aneksimit të Vlorës prej Italisë.
Atëhere të qenët e kësaj në Shqipëri, çonte vetvetiu Greqinë dhe Jugosllavinë që të
kërkonin "pjesën" e tyre. Prandaj Amerika, në fillim, mbajti një qëndrim të mesëm, që
nuk i kënaqte plotësisht kërkesat e fqinjëvet, por as Shqipërinë s'e shpëtonte dot nga
humbja: ajo i njihte Italisë aneksimin e Vlorës e mundësisht mandatin mbi shtetin
shqiptar që do të mbetej; pranonte që Greqia të merrte krahinën e Gjirokastrës por jo
Korçën; kurse Jugosllavisë nuk i bënte lëshime tokësore, por i njihte disa të drejta
tregëtare dhe ndërtimin e një hekurudhe në Shqipërinë e veriut. Vetëm më vonë, kur
këto kushte nuk u pranuan prej fqinjëvet, dhe Franca me Anglinë vendosën ndarjen e
Shqipërisë në tri pjesë sipas traktatit të fshehtë të Londrës, Presidenti Wilson e
kundërshtoi këtë vendim kategorikisht. Kundërshtoi gjithashtu që Shqipëria të
përfshihej në "çështjen e Adriatikut", domethënë nuk desh që Jugosllavia të
shpërblehej me toka shqiptare për lëshimet që ajo munt t'i bënte Italisë n'Adriatikun e
veriut. Ky qëndrim i Wilson-it i dha një farë mbështetjeje çështjes shqiptare dhe e
xvarnisi vendimin e copëtimit deri sa Shqiptarët vetë, me Kongresin e Lushnjës dhe
me Luftën e Vlorës, e shpëtuan vendin e tyre nga vdekja.

Kërkesat e paraqitura prej dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes iu dhanë për


shqyrtim komisionit të posaçëm që ishte formuar për çështjet greke, me përfaqësonjës
t'Anglisë, të Francës t'Italisë dhe t'Amerikës, nën kryesinë e diplomatit frëng J.-M.
Cambon. Por aty seicili prej antarëvet të komisionit i mbahej politikës së shtetit të vet
dhe nuk shikonte se ç'kërkonin Shqiptarët. Prandaj, në raportin që ky komision i
parashtroi Këshillit të Lartë të Konferencës nga fillimi i Marsit 1919, çfaqëshin
mendime të ndryshme; përfaqësonjësi italian kërkonte njohjen e shtetit shqiptar me
kufijtë e 1913-ës (natyrisht, nën mprojtjen e Italisë dhe pasi kjo t'aneksonte Vlorën).
Kurse Franca dhe Anglia propozonin që t'i jepeshin Greqisë Korça e Gjirokastra.
Përfaqësonjësi i Amerikës mbante një rrugë të mesme, për t'i lëshuar Greqisë një copë
nga ana e Gjirokastrës por jo krahinën e Korçës. Në këto kushte, Këshilli s'mund të
merrte një vendim, dhe çështja shqiptare mbeti varur. Mbasi ndërmjet Italisë dhe
Jugosllavisë kundërshtimi m'i madh delte për ndarjen e trashëgimit të Perandorisë
austro-hungareze mbi bregun veri-lindor t'Adriatikut, çështja shqiptare qëndronte e
lidhur edhe me këtë problem.

Duke parë gjithë këto koklavitje dhe se në Konferencën e Paqes nuk kishin pothuajse
asnjë përkrahje përveç simpathisë s'Amerikës, Shqiptarët menduan një çast t'i a
besonin kësaj fatin e vendit të tyre, për t'i shpëtuar copëtimit. Ky mendim u forcua me
ardhjen e përfqësonjësve të kolonivet, nga Shtetet-e-Bashkuar, Rumania e Turqia, të
cilët në fillim u bashkuan me dërgatën e qeverisë së Durrësit. I shtytur prej shumicës,
Turhan Pasha i drejtoi Konferencës së Paqes, më 7 Mars, një notë me anën e së cilës
propozonte që krahinat e kundërshtuara, Korçë e Gjirokastër, bashkë me tokat e tjera
shqiptare që Konferenca e Londrës dhe Kongresi i Berlinit iu patën lëshuar shtetevet
fqinjë, të pushto- hëshin dhe t'administrohëshin për një vit a dy prej Amerikës; mandej
t'organizohej një plebishit ndën kontrollin ndërkombëtar në të gjitha ato krahina, për
t'ia lënë popullit të tyre të drejtën e vetvendosjes nëse do të donte të bashkohej me
Shqipërinë apo të bënte pjesë me fqinjët.

Qëndrimi i përbashkët i dërgatavet shqiptare në Konferencën e Paqes nuk vazhdoi


gjatë. Përfaqësonjesit e kolonivet dhe disa nga ata të qeverisë së Durrësit filluan t'a
shihnin punën drejt, se rrezikun Shqipërisë po ja sillte Italia. Përsa kohë që kjo nuk
hiqte dorë nga qëllimi i aneksimit të Vlorës dhe i prokektoratit mbi pjesën tjetër të
Shqipërisë, as fqinjët ballkanase, që përkrahëshin prej Francës dhe Anglisë, nuk mund
të hiqnin dorë së kërkuari "pjesën" e tyre. Dhe logjikërisht çështja shqiptare duhej të
përfundonte me copëtimin më trish, siç qe parashikuar në traktatin e fshehtë të
Londrës. Prandaj pala m'e ndërgjegjëshme e atdhetarëvet vendosi të delte haptas
kundër politikës s'Italisë, duke shpresuar në përkrahjen morale t'Amerikës dhe
mundësisht në një ndërrim qëndrimi t'Anglisë, e cila kish nisur të ndjente erë vajguri
në Shqipëri... Kurse një pjesë e qeverisë së Durrësit, me Turhan Pashën në krye, nuk
shihte-tjetër përkrahëse përveç Italisë për të mprojtur kufijtë e 1913-ës kundrejt
fqinjëvet ballkanase.. Prandaj vazhdoi të mbetej e pështetur pas kësaj, duke u
munduar t'i zbuste kërkesat italiane ose të gjente disa formula e shprehje të
ndërmjeme për t'ua fshehur kuptimin.

Kështu, që në Prill 1919, dërgatat shqiptare në Konferencën e Paqes u ndanë në dy


grupe, duke paraqitur nga një memorandum të veçantë. Grupi i atdhetarvet më
largpamës, i cili përbëhej prej përfaqësonjësve të kolonivet dhe disa antarëve të
qeverisë së Durrësit, në memorandumin që i dha Konferencës, më 14 Prill, e thoshte
qartë se pushtimi i Vlorës nga ana e Italisë dhe protektorati i kësaj mbi Shqipërinë do
të bëhëshin shkak grindjesh dhe konfliktesh të reja në Ballkan; prandaj kërkonte
hedhjen poshtë t'asaj pjese të traktatit të Londrës që kish të bënte me Shqipërinë,
njohjen e pavarësisë së kësaj dhe zbatimin e parimit të kombësivet për krahinat
shqiptare mbetur jashtë kufijvet të 1913-ës. Ky grup, për të larguar Italinë, kërkoi që
Shqipëria të vihej përkohësisht nën mandatin e Amerikës, e cila nuk ishte drejtpërdrejt
e interesuar në Ballkan.

Kurse grupi pro-italian i qeverisë së Durrësit, në memorandumin që i dha edhe ai


Konferencës në të njëjtën ditë, hidhte poshtë kërkesat e fqinjëvet ballkanase, kërkonte
njohjen e kufijvet të 1913-ës ose edhe më shumë, por nuk e zinte me gojë Italinë dhe
mundohej t'a zbuste kuptimin e një protektorati nga anë e kësaj, duke e quajtur
"ndihmë dashamirëse" që njëra nga fuqitë e mëdha aliate duhej t'i jepte Shqipërisë për
një kohë të caktuar. Por "fuqinë e madhe aliate" do t'a zgjidhte vetë qeveria shqiptare
(dhe s'donte mend të kuptohej se do të "zgjidhte" Italinë). Kështu, "pavarësia" e
Shqipërisë duhej të mbetej e pacënuar.

Për t'iu vënë punëvet kapak, nuk mungoi t'i jepte Konferences memorandumin e tij
edhe Esad Toptani, i cili e mbante vehten si kryetar i "qeverisë shqiptare" legale dhe
aliate.

Kuptohet lehtë se të gjitha këto karturina hidhëshin në shportë dhe se askush nuk
kishte kohë për të humbur me profkat e Shqiptarëvet. Në qarqet ndërkombëtare
dëgjohet vetëm një lloj fjale dhe një lloj oshëtime: fjala që jehoi në Kongresin e
Lushnjës dhe oshëtima që bumbulloi rreth Vlorës, më 1920.

Mbasi traktati i paqes me Gjermaninë (i cili u nënshkrua në Versailles, më 28 Qërshor


1919) ishte në pregatitje e sipër, u shtruan në tryezën e gjelbër, që në Prill e Maj, edhe
çështjet që lidhëshin me Austro-Hungarinë, në radhë të parë ajo e ndarjes së
krahinavet t'Adriatikut ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. Disa prej atyre vendeve i
qenë njohur Italisë në traktatin e fshehtë të Londrës, por ajo kërkonte akoma, sidomos
qytetin e Fiumes, të cilin e pushtoi poeti G. d'Annunzio më 1919.

Franca e Anglia, që kishin pasur nevojë për Italinë gjatë luftës, nuk donin tani që kjo
të shtrihej shumë në Lindje për t'i bërë konkurencë fuqisë dhe tregëtisë s'atyre.
Prandaj kërkonin t'i vinin cak, duke përkrahur Jugosllavinë e Greqinë. Ky ishte
shkaku që Franca e Anglia ngulnin këmbë për t'i dhënë Greqisë Korçën dhe
Gjirokastrën, sepse nuk donin që ato krahina, nëpërmjet të një shteti shqiptar, të binin
nën panxhën e Italisë, e cila do të kontrollonte n'atë mënyrë jo vetëm kanalin e
Korfuzit, po edhe rrugën e brendëshme Sarandë-Korçë-Follorinë, që çonte drejt
Selanikut. Gjithmonë në pështetje të kësaj politike, Anglia e Franca i lanë dorë të lirë
Greqisë që të pushtonte Izmirin, në Maj 1919, kurse në kohën e Luftës atë qytet i
patën premtuar Italisë. E gjetur përpara kundërshtimit t'Anglisë e të Francës, të cilat
përdornin në lodrën e tyre Jugosllavinë e Greqinë, Italia e ndjeu vehten mjaft të dobët,
qeveria e V.E. Orlando-s dha dorëheqjen më 23 Qërshor 1919 dhe u zëvendësua prej
asaj të Francesco Nitti-t, me T. Tittoni-n si ministër i Punëve të Jashtëme. Qëllimi i
këtij ndërrimi ishte për të zbritur në një politikë kompromisi, të cilën qeveria e re e
filloi me Greqinë. Të dy shtetet, duke dashur t'iu gjenin një zgidhje sa më të shpejtë
çështjevet që mbetëshin varur midis tyre në Shqipëri dhe në detin Egje, hynë në
bisedime të drejtpërdrejta dhe arritën në marrëveshjen e fshehtë Tittoni-Venizellos, që
u nënshkrua më 29 Korrik 1919.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Italia dhe Greqia do të përkrahnin njëra tjetrën në


Konferencën e Paqes për t'a ndarë Shqipërinë midis tyre ashtu si e kishin parashikuar:
Greqia të merrte Korçën dhe Gjirokastrën, Italia Vlorën, e mandej atë copë që mbetej
si shtet shqiptar t'a vinte nën mandatin e saj. Greqia zotohej të mbante asnjanësinë e
kanalit të Korfuzit dhe t'i lëshonte Italisë për 50 vjet një hyrje të lirë në skelën e
Sarandës. Kurse Italia do të përkrahte Greqinë për të marrë Korçën, edhe nëqoftëse
Shtetet-e-Bashkuar t'Amerikës do të kërkonin që ajo krahinë t'i mbetej Shqipërisë.

Ndonëse marrëveshja Tittoni-Venizellos ishte e fshehtë, nuk vonoi t'i delte era, dhe
Shqiptarët e kuptuan se ajo që po ia gërmihte varrin atdheut të tyre ishte Italia. U vunë
në një gjendje të keqe edhe ata që mbahëshin gjer atëhere me politikën Italisë. Për t'iu
dhënë Shqiptarëvet përshtypjen se po ua linte atyre admistrimin e vendit, Italia
nënshkroi me qeverinë e Durrësit, më 20 Gusht 1919, një marrëveshje, sipas së cilës
administrata shqiptare do të shtrihej mbi të gjitha krahinat e pushtuara prej ushtërisë
italiane, përveç Vlorës dhe qarkut të saj. Duke pritur vendimin e Konferencës së
Paqes, administrata e qeverisë së Durrësit do të shtrihej edhe mbi krahinat që Italia ia
kishte njohur Greqisë në marrëveshjen e fshehtë, siç ishte Gjirokastra, ose edhe Korça
kur të zbrazej prej trupavet frënge. Po ashtu do të përfshihëshin nën të njëjtën
administratë krahinat e "zonës strategjike" që mbante Jugosllavia, si edhe Shkodra,
kur këto të pushtoheshin prej ushtërisë italiane. Këtë marrëveshje me qeverinë e
Durrësit Italia e bëri për të qetësuar disi Shqiptarët, po edhe për të pregatitur
bashkimin e vendit nën protektoratin e saj. Sepse marrëveshja përmbante edhe pika të
tjera në lidhje me organizimin dhe kontrollin e brendshëm: gjindarmëria dhe milicia
shqiptare do t'organizohëshin prej oficerësh italianë, të cilët do të kishin edhe
kumandën e përgjithshme; një komisar i lartë italian do të kontrollonte vepërimet e
qeverisë shqiptare, ndërsa këshilltarë e teknikë do të drejtonin degët e ndryshme
t'administratës, etj.

Gjatë kësaj kohe, marrëveshja Tittoni-Venizellos ishte përhapur dhe Shqiptarëvet s'iu
kishte mbetur më asnjë besim tek Italia. Disa ministra atdhetarë u larguan ca nga ca
prej qeverisë së Durrësit, ku tani qëndronin vetëm "miqtë" e Italisë. Kundërshtimi u
bë i hapët. Ndihej nevoja e një vepërimi kombëtar. Në Vlorë, ditën e 28 Nëntorit 1919
u zhvillua një manifestim i madh. Nëpër qarqet e atdhetarëve dhe të shkollarëve flitej
për nevojën e mbledhjes së një kuvendi të përgjithshëm kombëtar, i cili duhej të
merrte vendime heroike. Aty-këtu u treguan shenja armiqësie kundër ushtërisë
italiane, e cila mori masa mprojtjeje.
Por ajo që e mbushi kupën gjer atje ku s'mbante më, ishin vendimet e Konferencës së
Paqes. Më 9 Dhetor 1919, përfaqësonjësit e Anglisë, të Francës dhe t'Amerikës i
kishin dhënë Italisë një memorandum të përbashkët në lidhje me kërkesat e saja
n'Adriatik. Përsa i përkiste Shqipërisë, memorandumi i njihte Italisë aneksimin e
Vlorës me një pjesë të brendëshme si edhe mandatin mbi atë copë shtet shqiptar që do
të mbetej; në jugë, i njihej Greqisë krahina e Gjirokastrës, kurse çështja e Korçës
mbetej varur; Jugosllavisë nuk i lëshohëshin toka përkëtej kufijvet të l9l3-ës, por i
njihej e drejta e ndërtimit të një hekurudhe në Shqipërinë e veriut, gjatë luginës së
Drinit gjer n'Adriatik.

Italia nuk e priti mirë këtë memorandum, i cili nuk i kënaqte të gjitha kërkesat e saja
n'Adriatikun veri-lindor. Por ajo që e kundërshtoi më me forcë ishte Jugosllavia. Në
një notë që kjo i dha Konferencës së Paqes më 8 Jenar 1920, u çfaq kundër lëshimevet
që i bëheshin Italisë n'Adriatik dhe, përsa i përkiste Shqipërisë, kërkonte "pjesën e saj"
nëqoftëse nuk do të njihej pavarësia e shtetit shqiptar brenda kufijvet të 1913-ës. Edhe
përfaqësia e qeverisë së Durrësit në Paris i pat dhënë Konferencës një memorandum
tjetër, më 26 Dhjetor 1919, në të cilin protestonte kundër planevet të copëtimit të
Shqipërisë dhe bënte propozimet e saja, por zërin e Shqiptarëvet s'e dëgjonte askush.

Më në fund, Anglia e Franca, për t'i gjetur një zgjidhje çështjes s'Adriatikut dhe për të
kënaqur të tria fqinjët e Shqipërisë, pasi u dëgjuan, më 13 Jenar, edhe "argumentat" e
Venizellos dhe të ministrit jugosllav Trumbiç, vendosën copëtimin e Shqipërisë në
përputhje me traktatin e fshehtë të Londrës. Greqia do të merrte Korçën dhe
Gjirokastrën, Italia ato që kërkonte, dhe Jugosllavia Shqipërinë veriore bashkë me
Shkodrën duke i njohur këtij qyteti një farë "autonomie". Mbasi Anglia e Franca këtë
vendim e kishin marrë pa Amerikën, duhej t'i tregonin kësaj disa arësye, një prej të
cilavet ishte se Shqiptarët nuk kishin zotësi për t'u vetqeverisur dhe do t'ishte më mirë
për ta të mbetëshin ndën kujdesin e fqinjëvet. Nga ana tjetër, duke i dhënë
Jugosllavisë Shkodrën, ajo hiqte dorë prej Fiumes, e cila i kalonte Italisë, dhe çështja
e Adriatikut gjente një rregullim.

Lajmi i vendimit të këtij copëtimi u përhap si vetëtima dhe iu ra Shqiptarëvet si rrufe.


Ky ishte çasti që vinte në provë energjitë e fundme të shpirtit kombëtar, nëse racës
shqiptare i kishte mbetur akoma një fije vullneti për jetesë apo do të shuhej si kripa
n'ujë. Tani çdo shpresë në "drejtësinë" e fuqivet të mëdha ishte vegim marrëzie.
Kombe që jetojnë, janë vetëm ata që dinë të mprohen. Më parë se të përhapej lajmi i
fundit, Shqiptarët ishin vënë në lëvizje për t'organizuar mbledhjen e një kuvendi të
përgjithshëm. Tani kjo nevojë u bë m'e ngutshme se kurrë. Nervat e kombit ishin
nxehur në kulm. Ata që mbahëshin akoma me qeverinë e Durrësit ishin agjentët e
Italisë, dhe Italia këtë radhë po tregohej armiku vdekësor i racës shqiptare.
Por trathëtarët nuk ndjejnë as turp as përgjegjësi. Qeveria e Durrësit me ndihmën e
ushtërisë italiane u përpoq të bënte çmos për të ndaluar mbledhjen e kuvendit
kombëtar. Ajo vrau në pritë Abdyl Ypin, një nga atdhetarët më energjikë që po merrej
me organizimin e mbledhjes. Në Shkodër, ishte vrarë prej një agjenti t'Italianëvet
atdhetari Sali Nivica, drejtor i gazetës "Populli" dhe mprojtës i guximshëm i idesë
kombëtare.

Megjithë këto pengesa, kuvendi shpëtimtar mundi të mblidhej në Lushnjë, më 21


Jenar 1920, dhe mori emrin Kongresi i Lushnjës. Ishin gjithësejt nja 50 të dërguar prej
krahinavet të ndryshme të Shqipërisë. Mbledhja u hap nën kryesinë e Aqif Pash
Biçakut (Elbasanit). Pa marrë parasysh se Shqiptarët ishin një komb i vogël dhe pa u
pështetur n'asnjë shpresë të jashtëme, Kongresi i Lushnjës i hodhi poshtë me
vendosmëri planet e copëtimit që fuqitë e mëdha kishin kurdisur në traktatin e fshehtë
të Londrës dhe në Konferencën e Paqes. Ai shpalli botërisht se Shqipëria ishte shtet i
pavarur dhe se Shqiptarët nuk pranonin asnjë formë mandati ose protektorati të huaj
mbi vendin e tyre. Në telegramin që iu drejtoi Konferencës së Paqes dhe fuqivet të
mëdha, Kongresi i Lushnjës ua bëri të njohur se Shqiptarët do të derdhnin gjer pikën e
fundit të gjakut kundër çdo vendimi që vinte në rrezik tërësinë tokësore t'atdheut të
tyre dhe pavarësinë e plotë kombëtare. Një protestë të rreptë iu drejtoi edhe
parlamentit dhe senatit t'Italisë.

I vetëdijshëm se përfaqësonte vullnetin e kombit, Kongresi i Lushnjës mori masa


vendimtare, siç e lipnin rrethanat, n'ato çaste të vështira ku po përshkohej atdheu. E
shpalli të rrëzuar qeverinë e Durrësit dhe në vend të saj, formoi një qeveri kombëtare
nën kryesinë e Sulejman Delvinës, me ministër të Punëve te Jashtëme Mehmet
Konitzën, të Punëve të Brendëshme Ahmet Zogun, të Finacavet Ndoc Çobën,
t'Arësimit Sotir Pecin etj. Mbasi çështja e regjimit nuk mund të vendosej aty për aty,
se Shqipëria kish qënë shpallur principatë më 19l3 e 1914 dhe Princ Vidi nuk kishte
abdikuar, Kongresi zgjodhi një Këshillë të Lartë, që do të mbante vendin e kryesisë së
shtetit. Ky Këshillë përbëhej prej katër vetash, që përfaqësonin katër rrymat fetare të
Shqipërisë: Aqif Pashë Biçaku (mysliman bektashi), Abdi Bej Toptani (mysliman
syni), Dr. Mihal Turtulli (orthodoks), Imzot Luigj Bumçi (katolik). Kongresi zgjodhi
prej gjirit të vet edhe një senat prej 37 vetash, si një këshillë kombëtar që do të zinte
vendin e parlamentit për gjersa të bëhëshin zgjedhje të rregullta. Caktoi gjithashtu për
në Konferencën e Paqes një dërgatë të re, që përbëhej prej Mehmet Konitzës, Imzot
Bumçit dhe Dr. Mihal Turtullit.

Bashkë me krijimin e këtyre organeve, Kongresi i Lushnjës caktoi një statut të shtetit
shqiptar, prej 6 nenesh, me Këshillin e Lartë në krye, që kishte fuqinë ekzekutive, dhe
Këshillin Kombëtar (ose senatin), i cili kishte fuqinë legjislative dhe kontrollin mbi
qeverinë për deri sa të zgjidhej Asambleja Kombëtare. Këshilli i Lartë emëronte
kryeministrin, dhe ky, mbasi të formonte qeverinë, kërkonte votë-besimin e Senatit. Si
kryeqytet i Shqipërisë u caktua Tirana.

Kongresi i Lushnjës iu dha fund punimevet më 9 Shkurt 1920 dhe, më 11 t'atij muaji,
qeveria kombëtare hyri në Tiranë. Një fuqi vullnetarësh dhe disa qindra Matjanë që
kishte sjellë me vehte Ahmet Zogu ia hapën udhën. Vendimet e Kongresit të Lushnjës
ngjallën një enthusiazëm të përgjithshëm në popull, i cili u tregua kudo i gatishëm për
të përkrahur qeverinë e re. Kështu kjo mundi të përballonte vështirësitë e para, të cilat
ishin me të vërtet të mëdha: mungonte çdo gjë, mjetet financiare, organizimi, fuqia.
Nga, ana tjetër, qeveria trathëtare e Durrësit, që drejtohej prej Mustafa Krujës dhe
Myfit Libohovës me shokë, provoi të mbahej me anën e forcës italiane, por pas disa
javësh u shkri vetvetiu, sepse krahinat e Shqipërisë së Mesme dhe i tërë vendi u lidhën
me qeverinë e Tiranës. Kjo u vu t'organizonte administratën, gjindarmërinë, arësimin,
financat, gjygjet. I bëri thirrje popullit shqiptar që të tregohej i bindur dhe t'a
ndihmonte. Ahmet Zogu, si ministër i Punëve të Brendëshme, u tregua energjik dhe i
zoti për të vënë rregullin. Rreth tij u mblodhën disa oficerë nacionalistë me anën e të
cilëvet ai organizoi të parat fuqi kombëtare dhe mundi të shtronte në Shqipërinë e
Mesme trubullimet e zakonshme t'Esadistëvet ose të Rebelëvet që shtytëshin tani prej
Italianëvet.

Në botën e jashtëme, Kongresi i Lushnjës bëri përshtypjen e një ringjalljeje shqiptare.


U kuptua se plani i copëtimit nuk mund të zbatohej pa gjakderdhje. Vendimin e
fundmë t'Anglisë dhe të Francës e kundërshtoi Presidenti Wilson i Amerikës. Ky u
tregua kundër gjithashtu që Shqipëria të përfshihej në "çështjen e Adriatikut". Në një
notë drejtuar fuqivet evropiane më 6 të Marsit, Presidenti Wilson ua thoshte hapur se
ai nuk pranonte asnjë plan që do të përfshinte Shqipërinë në rregullimin e çështjeve
t'Adriatikut dhe që t'i jepte Jugosllavisë toka shqiptare si shpërblim për lëshimet që
kjo mund t'i bënte Italisë në Fiume ose gjetkë. Kundërshtimi i Wilson-it e pezulloi
përkohësisht çështjen e Adriatikut si dhe atë të Shqipërisë. Në horizontin
ndërkombëtar filluan të dukëshin shenja të tjera, të cilat i dhanë zemër qeverisë së
Tiranës. Porsa që nota amerikane e përjashtonte Jugosllavinë prej pjesës së premtuar
në Shqipërinë e veriut, marrëveshja Tittoni-Venizellos do të gjente vështirësi zbatimi,
sepse Jugosllavia do t'a kundërshtonte daljen e Italisë në Vlorë e në Durrës. Nga ana
tjetër, porsa që Shqiptarët po jepnin provën se dinin t'organizohëshin dhe të
vetqeverisëshin, mendimet në Konferencën e Paqes filluan të ndryshonin, sidomos
qëndrimi i diplomacisë angleze. Kjo e fundit kishte edhe një arësye tjetër, se
Shqipërisë po i vinte era vajguri... dhe Shoqëria Anglo-Persiane e kishte hundën fort
të ndieshme.

Qeveria e Tiranës iu vu punës me durim për të bashkuar pjesët e ndara të Shqipërisë.


Rasti iu paraqit me Shkodrën. Fuqia ndërkombëtare po largohej prej atij qyteti, dhe
gjenerali frëng de Fourtou, që e kumandonte, ia dorëzoi Shkodrën qeverisë Shqiptare,
më 11 Mars 1920. Ndonëse në vendimin e fundit marrë në Konferencën e Paqes prej
Anglisë dhe Francës ishte caktuar që Shkodra t'i jepej Jugosllavisë, kundërshtimi i
Presidentit Wilson e kishte lënë varur atë çështje. Prandaj kumanda ndërkombëtare,
duke u larguar nga Shkodra, s'kish se kujt t'ia dorëzonte atë qytet veçse qeverisë
shqiptare, në pritje të një vendimi përfundimtar nga ana e Konferencës së Paqes.
Sidoqoftë, ky ishte një hap i madh drejt bashkimit të Shqipërisë, dhe forcat kombëtare
që dërgoi qeveria e Tiranës u pritën me shumë gëzim prej Shkodranëvet. Për të
vendosur mirë administratën shqiptare mbasi edhe ushtëritë jugosllave nuk ishin larg,
qeveria dërgoi si prefekt të përkohshëm të Shkodrës Ahmet Zogun.

Por Italia nuk donte të tundej nga kërkesat dhe pozitat e saja në Shqipëri. Pastaj
kërkesat e Italisë nuk i kundërshtonte as Amerika. Shpëtimi i Shqipërisë varej, siç e
kemi thënë më sipër, nga përzënia e Italisë prej tokavet shqiptare. Sepse atëhere do të
binin poshtë vetvetiu edhe kërkesat e fqinjëvet. Po qysh dhe kush do t'a përzinte
Italinë? Askush tjetër përveç Shqiptarëvet vetë. Qeveria e Tiranës provoi të gjente një
rregullim miqësor me Italinë duke i propozuar që kjo të njihte pavarësinë dhe tërësinë
tokësore të Shqipërisë. Ndonëse e kuptoi se plani i protektoratit të saj mbi Shqipërinë
u bë fort i vështirë, Italia nuk pranonte kurrësesi të hiqte dorë nga Vlora. Përpara
shtrëngimit t'administratës shqiptare dhe kërcënimit të një kryengritjeje nga ana e
popullit, ajo u detyrua t'a tërhiqte ushtërinë ca nga ca prej pjesëvet të brendëshme të
vendit, por u forcua rreth Vlorës, Tepelenës dhe Sarandës. Kurse në Këlcyrë, Përmet e
Gjirokastër u vu administrata shqiptare. Italia mbante edhe në skelën e Durrësit një
trupë të vogël ushtarake, ndonëse qyteti ndodhej tani ndën administratën e Tiranës.

Qeveria shqiptare nuk kishte fuqi t'i shpallte zyrtarisht luftë Italisë për çlirimin e
vendit. Por në qarqet e atdhetarëvet po bëhej përditë m'e dukshme se pa një vepërim
me armë Italia nuk tërhiqej prej Shqipërie. Ky vepërim mbetej të bëhej në formën e
një kryengritjeje popullore. Po edhe kjo duhej organizuar mirë dhe ndërlidhur me
vepërimin politik të qeverisë. Sulejman Delvina ishte mjaft i aftë për këto punë dhe
dijti t'i vazhdonte bisedimet me Italianët, duke u munduar njëkohësisht të siguronte
mosndërhyrjen e fqinjëvet ballkanike, sidomos të Jugosllavisë, në rastin e një
vepërimi me armë të Shqiptarëvet kundër Italisë.

Gjatë vitit 1919 patën qënë formuar në Shqipëri disa komitete të "Mbrojtjes
Kombëtare". Të parin që u pagëzua me kët' emër, e patën sajuar emigrantët kosovarë
në Shkodër. Edhe Vlora kishte pasur të sajnë. Por këta komitete kishin kaluar pa
zhurmë. Kurse "Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare" që u formua në Vlorë për së dyti, në
Prill 1920, mundi të hynte në histori. Kryetar i Komitetit u zgjodh Osman Haxhiu, por
shtylla e vërtetë e tij ishte Qazim Koculi. Një rol të rëndësishëm lozi në të dhe Spiro
Koleka. Që të dy këta, Koculi e Koleka, ishin përfaqësonjës të Vlorës në Këshillin
Kombëtar (Senatin) të Tiranës, dhe në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë.
Pregatitjen e një kryengritjeje e patën biseduar me Sulejman Delvinën e të tjerë
ministra ose antarë të Këshillit të Lartë, por qeveria duhej mbajtur jashtë çdo
përgjegjësie zyrtare.

Gjatë Majit, organizimi u shtri në krahinat e pushtuara prej Italianëvet. Por ndërsa
pregatitej kryengritja e Vlorës, plasi çështja e Korçës. Ushtëria frënge po largohej prej
Shqipërie dhe mori urdhër nga Parisi që të mos e kundërshtonte pushtimin e Korçës
prej Grekëvet. Këta rrinin gati, dhe fuqitë që kishin përqendruar në Follorinë, nën
kumandën e gjeneralit Trikupis, u vunë në lëvizje drejt kufijvet të Shqipërisë. Mirëpo
atdhetarët e Korçës dhe të rrethevet çuan popullin në këmbë, ngritën në qytet flamurin
kombëtar dhe e bashkuan krahinën me qeverinë e Tiranës. Grekët që mendonin t'a
zinin Korçën me befasi, u gjetën përpara forcash t'armatosura që s'e lëshonin vendin
pa luftë. Atëhere ushtëria e tyre u përmbajt. Duket se Anglezët e këshilluan
Venizellon që të mos hapte një tjetër trazirë në Shqipëri, në një kohë kur Greqia
ndodhej në luftë kundër Turqvet n'Azinë e Vogël. Kështu Grekë e Shqiptarë
nënshkruan, më 28 Maj, protokollin e Kapshticës, sipas të cilit të dy anët do të mbanin
caqet e tyre gjersa Konferenca e Paqes - ose një marrëveshje e drejtpërdrejtë greko-
shqiptare - të rregullonte çështjen e kufijvet ndërmjet dy vendevet. Por ushtëria greke
nuk i lëshoi 26 fshatrat shqiptare që kishte shkelur, për t'i mbajtur gjoja si një zonë
sigurimi. Vetëm disa vjet më vonë qeveria e Athinës u detyrua të lironte 14 prej tyre.

Ndërkaq, rreth Vlorës vazhdonin pregatitjet. Komiteti i fshehtë i "Mbrojtjes


Kombëtare" thirri në një mbledhje të madhe parësinë e qytetit dhe të fshatravet, me 29
Maj 1920. Mbledhja u bë në Barçalla, një faqe mali afër Dukatit, në jugë të Vlorës.
Pasi folën Qazim Koculi e të tjerë, u muar vendimi që Italia duhej luftuar dhe u
zgjodh një këshillë prej 30 vetash, i cili nxori një Komitet të ri të "Mbrojtjes
Kombëtare", të përbërë prej 12 antarësh dhe përsëri nën kryesinë e Osman Haxhiut.
Por në gji të Komitetit, për t'organizuar dhe kumanduar kryengritjen, u caktua një
komision ushtarak nën drejtimin e Qazim Koculit. Pas këtyre vepërimeve, Komiteti iu
bëri thirrje qytetit dhe fshatravet të zonës së pushtuar që të rrëmbenin armët. Burrat e
Labërisë e dëgjuan zërin e atdheut. Disa mijëra prej tyre, me ato armë që kishin, u
mblodhën në Beun, më 2 Qërshor l920.

Mbasi lëvizja udhëhiqej mirë, sipas një plani të caktuar, Komiteti i "Mbrojtjes
Kombëtare" i drejtoi nga Beuni, më 3 Qërshor, një ultimatum kumandarit të forcavet
italiane, gjeneralit Piacentini, duke kërkuar që Italia t'ia këthente sa më shpejt Vlorën,
Tepelenën dhe Himarën qeverisë kombëtare të Tiranës. "E dijmë se një shtet i madh si
Italia mund të ketë mjaft forcë për të shtypur një popull të vogël si ne", thuhej
n'ultimatumin, "por populli shqiptar nuk mund të pranojë në heshtje që të shitet si
bagëti nëpër tregjet e Evropës, prandaj vendosi të rrëmbejë armët..." etj.

Komiteti i kërkonte një përgjigje kumandarit italian gjer në mbrëmjen e së nesërmes


më 4 Qërshor. Por ky e gjykoi më të kollajshme t'ua jepte përgjigjen Shqiptarëvet me
grykën e topavet. Atëhere s'mbetej tjetër veç sulmit me armë. Qazim Koculi i
propozoi Komitetit të "Mbrojtjes Kombëtare" se duhej nisur sulmi pa humbur kohë.
Spiro Koleka e përkrahu këtë mendim me një fjalim të nxehtë, antarët e tjerë të
Komitetit e pranuan, dhe Shqipot e bënë forra! Labëria trime e provoi se kishte akoma
burra nga ata që i hidheshin "topit nga grika" si Selam Musa Salaria.

Fuqia italiane në Shqipëri përbëhej prej 20.000 ushtarësh, përveç luftanijvet që


ndodhëshin përpara Vlorës. Një pjesë e ushtërisë kishte zënë pozitat më të forta gjatë
rrugëvet Vlorë-Gjirokastër dhe Vlorë-Sarandë. Në disa pika, si në Drashovicë, Kotë,
Gjorm e Llogara kishte bërë fortifikime të patundshme, përveç telavet me gjëmba që
mpronin çdo pozicion t'ushtërisë italiane, shqiptarëvet iu duhej të merrnin më parë
pozicionet e jashtëme, të kapnin sa më shumë armë e municione prej Italianëvet, dhe
mandej të lironin Vlorën.

Pasi krisi topi i Italisë, Shqipot u hodhën në sulm, në mbrëmjen e 5 Qërshorit, të


rreptë si breshëri, dhe i kapën një nga një postkomandat dhe pozicionet e jashtëme
t'Italianëvet. Por këta u mbyllën brenda vijavet të fortifikuara duke u mprojtur me
anën e mjetevet dhe t'armatimit të rëndë. Morali i tyre u trondit që në fillim, sepse
Shqiptarët sulmuan befas dhe nga të gjitha anët, me një guxim t'atillë që Italianëvet
s'iu kishte shkuar kurrë nëpër mend. Luftime heroike ngjajtën në Kotë, ku fshatarët
trima, të kumanduar prej Ahmet Lepenicës, mbas disa sulmesh të rreptë, u hodhën
mbi telat me gjëmba duke vënë gunat përsipër dhe iu hynë kazermavet brenda. Midis
Italianëve të vrarë ndodhej edhe vetë gjeneral Gotti. Të tjerët, oficerë e ushtarë, u
dorëzuan. Po n'atë mënyrë u muarën të gjitha pozicionet e forta t'Italianëvet, Gjormi,
Llogaraja, Tepelena, Drashovica. Në Tepelenë, lufta vazhdoi e rreptë gjatë pesë
ditëve; por me fuqitë që erdhën prej krahinash rreth e qark dhe disa qindra burra që
kumandonte Ali Këlcyra, u lirua më në fund edhe qyteti i Ali Pashës. Me armët,
municionet, disa topa e mitraloza që u kapën nëpër këto pozicione, forcat shqiptare u
armatosën më mirë dhe numri i tyre arriti në nja 4.000 veta. Komisioni ushtarak
shqiptar e ngrehu qendrën e tij në Drashovicë. Komiteti i "Mbrojtjes Kombëtare" i
kërkoi edhe njëherë gjeneral Piacentini-t dorëzimin e Vlorës. Mbasi ky nuk dëgjoi, u
vendos që të sulmohej qyteti. Natën duke u gdhire 12 Qërshor, Shqipot u hodhën si
shqiponja mbi bregoret e Babicës, në Qafën e Koçiut, në fortesën e Kaninës, dhe
fitorja e tyre u vulos n'Ullishtat e Vlorës me gjakun e Selam Musajt.

Kumanda italiane s'gjeti tjetër mënyrë mprojtjeje veçse kapi në qytet nga popullsia
civile afro 1500 veta - ndër ta edhe gra e fëmijë - dhe i hoqi si peng në Sazan, duke
kërcënuar se të gjithë këta do të pushkatoheshin nëqoftëse kryengritësit nuk ndalnin
sulmin. Kjo i detyroi trimat, të cilët kishin hyrë në lagjet e jashtëme të qytetit, të
përmbahëshin dhe të zinin vend rreth Vlorës. Po lufta e tyre ishte e fituar.
Gjatë asaj kohe, veglat e Esad Toptanit në Shqipërinë e Mesme, të cilët shtyhëshin
nga agjentët e Jugosllavisë dhe t'Italisë, ishin vënë në lëvizje. Por qeveria e Tiranës
mundi t'i shpartallonte duke ia ngarkuar Bajram Currit kumandën e ndjekjevet kundër
tyre. Ndërsa Esad Pasha vetë ra i vdekur në Paris prej dorës s'Avni Rustemit, më 13
Qërshor 1920.

Lufta dhe triumfi i Vlorës elektrizuan ethusiazmin e Shqiptarëvet, brenda dhe jashtë
Shqipërisë. Prej krahinash të tjera u nisën grupe vullnetarësh drejt Vlorës, ndonëse
punën e kishin kryer pothuajse burrat e Labërisë. Shoqëritë e jashtëme u vunë të
mblidhnin ndihma. Bujë e madhe u bë n'Evropë dhe në tërë botën.

Por jehona e Vlorës tronditi sidomos Italinë. Qeveria e Nitti-t u rrëzua dhe vendin e
saj e zuri ajo e Giovanni Giolitti-t, e cila desh të dërgonte fuqi të reja për të shtypur
kryengritjen shqiptare. Veçse n'atë kohë ishte e fortë n'Itali edhe lëvizja socialiste, që
besonte atëhere në vëllazërimin e popujvet. Deputetët e saj kërkuan në parlament
votimin e një rezolute për tërheqjen e forcavet italiane nga Shqipëria, por ai propozim
nuk u pranua prej shumicës. Me shtytjen e partisë socialiste, u bënë manifestime
popullore nëpër disa skela t'Adriatikut për të ndaluar dërgimin e trupave të reja në
Shqipëri; u hodhën trakte, u ngjitën shpallje murevet, iu bëhej thirrje ushtarëvet të të
mos pranonin të nisëshin. Punëtorë e hamenj bënin greva për të mos ngarkuar
materialin e luftës.

Megjithatë, gjeneral Piacentini, në Shqipëri, kërkoi nga Komiteti i "Mbrojtjes


Kombëtare" që t'i shpërndante forcat dhe të dorëzonte robërit, se përndryshe do të
niste një ofensivë të rreptë ndëshkimore. Mbasi Shqiptarët nuk u tundën prej
pozicionevet të tyre, trupat e zgjedhura italiane, me automjetet dhe të ndihmuara nga
artileria e flotës, filluan ofensivën më 19 Qërshor në drejtim të Drashovicës. Por u
thyen përsëri dhe u shtrënguan të këthehëshin në Vlorë, pasi lanë mjaft të vrarë.

Përpara forcës së Shqiptarëvet, dhe mbasi n'atë kohë Italia po kalonte nëpër një krizë
të brendëshme, qeveria e Romës dërgoi në Tiranë agjentin e saj të vjetër për punët
shqiptare, baron Aliotti-n, që t'a paqësonte gjendjen duke shkëputur diçka me anë
bisedimesh dhe kërcënimesh. Por qeveria e Tiranës nuk i pranoi kërkesat italiane; si të
vetëmin kusht për paqësimin ata vunë tërheqjen e ushtërisë dhe njohjen e pavarësisë
së plotë shqiptare nga ana e Romës. Atëhere kumanda italiane e Vlorës, me një
urdhër-dite që shpalli më 17 Korrik, bënte të njohur se ushtëria e saj nuk do të
largohej prej Shqipërie dhe se ishte mjaft e fortë për t'a shtypur kryengritjen. Këtij
kërcënimi, Shqiptarët iu përgjigjën, pak ditë më vonë, natën mbë 22 Korrik, me një
sulm të përgjithshëm kundër vijavet t'ushtërisë italiane në Vlorë, dhe u futën deri në
lagjet e jashtëme të qytetit.
Kur e pa se s'kishte mundësi që të vepronte ndryshe, qeveria e Romës e prishi
marrëveshjen Tittoni-Venizellos, më 22 Korrik 1920, dhe dërgoi në Tiranë kont
Manzoni-n për të bërë paqen e vërtetë me Shqiptarët. Ky nënshkroi me qeverinë e
Sulejman Delvinës një protokoll, më 2 Gusht l920, me anën e të cilit Italia njihte
pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe tërësinë tokësore të kësaj ku përfshihej edhe
Vlora, por mbante ishullin e Sazanit. Ushtëritë italiane duhej t'a linin Shqipërinë gjer
më 2 Shtator 1920. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Shqiptarët i liruan
robërit e luftës, lart nga 1200 veta por nuk i lëshuan pozicionet gjersa ushtëria italiane
u tërhoq e tërë. Kjo u largua rregullisht, sipas marrëveshjes, dhe, më 3 Shtator 1920,
luftëtarët e lirisë hynë ngadhënjyësa në Vlorë me flamurin e Skënderbeut, i cili këtë
radhë rrethohej me lavdi kastriotiane, sepse ishte e para herë në historinë e re të
Shqipërisë që Shqiptarët e fitonin lirinë vetëm me luftën e tyre kundër një fuqie të
madhe si Italia.

Me tërheqjen e Italisë prej Shqipërie dhe me njohjen e tërësisë dhe të pavarësisë së


shtetit shqiptar nga ana e saj, binin poshtë vetvetiu kërkesat e fqinjëvet ballkanike, të
cilat nuk do të gjenin asnjë përkrahje në Konferencen e Paqes, mbasi tani i
kundërshtonte edhe Italia. Ngadhënjimi i Vlorës iu dha Shqiptarëvet besim në
vetvehten dhe e ndyshoi krejt opinionin evropian kundrejt tyre. Këta dhanë provën se
dinin të vetqeverisëshin, se dinin t'a kundërshtonin vendimin e fuqivet të mëdha, se
ishin të zotët t'a hidhnin me forcë njërën prej tyre jashtë Shqipërie. Lufta e Vlorës u
zhvillua brenda një rregulli dhe disipline shembullore; midis "Komitetit të Mbrojtjes
Kombëtare" dhe qeverisë së Tiranës pati harmoni të plotë, bisedimet me Italinë u
drejtuan prej një vullneti, prej një qëllimi, robërit italianë të luftës u mbajtën mirë në
fusha përqëndrimi në Vajzë e në Tepelenë. Populli shqiptar u dëftye në lartësinë e
qytetërimit dhe të burrërisë së tij të lashtë.

Me enthusiazmin që ngjalli triumfi i Vlorës, Shqiptarët deshën të hidhnin përtej


kufijvet ushtëritë jugosllave, e cila jo vetëm që mbante të pushtuar "zonën strategjike"
por delte herë pas here edhe përkëtej. Me tërheqjen e Italisë, Jugosllavët kujtuan se
Shqipëria mbetej një vend i zbrazët ku ata mund të bënin lodrën e tyre. Qeveria e
Tiranës kishte kërkuar disa herë prej Jugosllavisë që të tërhiqej në kufijtë e l913-ës.
Por kjo, duke përfituar nga pafuqia e shtetit shqiptar, përpiqej t'aneksonte zonën
strategjike dhe mundësisht të shtrihej më këtej. Ushtëria e saj provoi të zbriste drejt
Shkodrës dhe arriti gjer në Koplik, por Shqiptarët mundën t'a prapsnin. Mbasi qeveria
e Tiranës nuk kishte forcë për t'i bërë drejtpërdrejt luftë Jugosllavisë, populli i zonës
së pushtuar desh të ndiqte shembullin e Vlorës. Këtë nismë e muarën krerët e Dibrës,
si Ramiz Dibra me shokë, të cilët, në një mbledhje që bënë në katundin Arras të
Peshkopisë, vendosën t'organizonin një kryengritje ndën kumandën e Elez Isufit.
Kështu Dibranët i ranë ushtërisë jugosllave nga mbarimi i Gushtit 1920, çliruan
Peshkopinë dhe e hodhën armikun përtej kufijvet të 1913-ës. Lëvizja mori hov në
Shqipërinë e veriut, dhe krerët e Kosovës, Hasan Prishtina, Bajram Curri e Hoxha
Kadriu me shokë, deshën t'a zgjeronin më tutje.

Por Jugosllavia ishte shtet kufitar dhe mundi të hidhte fuqi të mëdha kundrejt
Shqiptarëvet. Mbasi e theu qëndresën e rreptë të Dibranëvet, ushtëria jugosllave e
pushtoi prapë "zonën strategjike" dhe u shty më thellë, duke vrarë, djegur e rrëmbyer
ç'i binte në dorë, pa kursyer as robërit e luftës, as gra e fëmijë. Shumë fshatra u
shkretuan, popullsia provoi t'ikte nga të mundte, me dhjetra mijë zbritën në Tiranë, të
rreckosur, të pa-ngrënë e si mos më keq. Jugosllavët arritën në Martanesh e në
Shkallën e Tiranës. Qeveria shqiptare dha kushtrimin për mobilizim vullnetarësh, të
cilët, bashkë me forcat e ushtërisë dhe të gjindarmërisë, ia thyen turrin armikut dhe e
prapsën gjer në "zonën strategjike". Krahas me këto vepërime, qeveria e Sulejman
Delvinës iu drejtoi një notë fuqivet të mëdha që t'a detyronin Jugosllavinë për t'u
tërhequr në kufijtë e 1913-ës. Por ushtëria jugosllave i vazhdoi akoma ndërhyrjet e
saja duke përdorur si vegla disa krerë të Shqipërisë së veriut dhe mbeturitë e
esadismës, për t'a shkallmuar shtetin shqiptar me anën e këtyre. Qeverisë së Tiranës i
duhej t'iu gjente bukë dhe strehë refugjatëvet të rinj, që mbushnin lagjet e kryeqytetit
dhe fushën rreth e rrotull, me gra e fëmijë, të sëmurë, fytyrë-verdhë, si fantazma dalë
prej varresh. Shumë prej tyre vdiqën nga uria dhe sëmundjet.

Duke kaluar nëpër këto kushte jashtëzakonisht të vështira, Shqipëria, gjatë vitit 1920,
vetëm me forcat e saja mundi të mëkëmbej si shtet, t'iu bënte ballë armiqve të
jashtëm, të çlironte vendin prej pushtimit të huaj, dhe t'a ndryshonte në botën e
Perëndimit opinionin që ishte formuar kundrejt saj. E zonja e vetvehtes, kërkoi që të
pranohej si shtet i pavarur në Lidhjen e Kombevet. Megjithë kundërshtimin e
fqinjëvet dhe të Francës që mbante anën e tyre (dhe që e tregoi gjer në fund
armiqësinë e saj kundrejt Shqipërisë), qeveria e Tiranës e kapërceu edhe këtë pengesë.
Me përkrahjen e Anglisë, Shqipëria u pranua antare e Lidhjes së Kombevet më 17
Dhjetor 1920. Por kufijtë mbetëshin akoma të pacaktuar, mbasi Greqia nuk hiqte dorë
nga kërkesat e saja. Vetëm një vit më vonë, më 9 Nëntor 1921, Konferenca e
Ambasadorëvet vendosi që kufijtë e Shqipërisë të mbetëshin ata të 1913-ës, me ca
ndryshime në dobi të Jugosllavisë. Më 1923, komisioni ndërkombëtar caktoi në vend
vijën e kufijvet dhe vuri piramidat, përveç disa pikave që u vendosën përfundimisht
më 1925. Kështu Shqipëria shpëtonte edhe njëherë nga furtuna duke ruajtur të paktën,
me ca ndryshime të vogla, kufijtë e 1913-ës.

Si çasti m'i lavdishëm i historisë së re të Shqipërisë mbahet dita e 28 Nëntorit 1912, që


simbolizon pavarësinë kombëtare. Dhe ashtu duhet të jetë. Por viti heroik në historinë
e re të Shqipërisë është viti 1920. Është periudha ku Shqiptarët, më shumë se kurrë në
historinë e re të tyre, tregojnë jo vetëm një shpirt kombëtar të pathyershëm, po edhe
punë të ndërlidhur, të peshuar me mend dhe të zbatuar me guxim, n'afrim të ngushtë
me njëri-tjetrin. Në një kohë kur horizonti shqiptar ishte mbuluar me re të zeza, kur
copëtimi i Shqipërisë mbahej si gjë e sigurtë, kur nuk kishte asnjë shpresë, asnjë
ndihmë të jashtëme, Shqiptarët çohen në këmbë kundër gjithë botës dhe vendosin në
Kongresin e Lushnjës se zotër t'atij trualli ishin ata vetë, se s'lejonin t'ua prekte
kurrkush dhe se do t'a mpronin kundër kujtdo gjer në pikën e fundit të gjakut. Nuk
pranojnë "të shiten si bagëti nëpër tregjet e Evropës". Hedhin poshtë vendimet e
fuqivet të mëdha, mtesat e fqinjëvet, ngrehin një qeveri kombëtare pa "mprojtjen" e
kurrkujt, e shpallin të rrëzuar qeverinë trathëtare të Durrësit, vënë administratën,
rregullin, vetëm me mjetet e tyre, detyrojnë ushtërinë greke të përmbahet në kufi,
përzënë me luftë ushtërinë italiane përtej detit, gjersa Italia shtrëngohet t'i njohi shtet
të pavarur, vrasin Esad Toptanin, iu bjenë Jugosllavëvet, dhe me në fund e bëjnë
Shqipërinë antare të Lidhjes së Kombevet! Dhe të gjitha këto punë të pabesuarshme,
brenda një viti! A ka provë më të qartë se ç'mund të bëjë vullneti i një kombi, sado i
vogël të jetë ky, kur është i lidhur çelnik drejt një qëllimi? A ka vërtetim më bindës se
Shqipërinë e kanë humbur vetë Shqiptarët me përçarjet e tyre gjatë shekujvet, sado që
mundohen t'u hedhin fajin të huajvet? Kurse më 1920, duket sikur e kanë kapërcyer
atë ndjenjë inferioriteti kombëtar për të cilën kemi folur më sipër, duket se kanë marrë
besim në vetvehte, ashtu si kombet e pjekur, dhe i dalin përballë furtunës me forcat e
tyre. Duket se ngjarjet e shëmtuara të vjetëvet 1913 e 1914 iu ishin bërë mësime iu
kishin ndriçuar gjykimin, forcuar vullnetin dhe bashkuar pikëpamjet drejt rrugës së
shpëtimit. Kanë vepëruar me urtësi edhe gjatë vitit 1919. Por më 1920 marrin
vendime të guximshme, dhe jo vetëm i marrin po edhe i zbatojnë, me anë vepërimesh
të lidhura mirë, me anën e një bashkëpunimi vëllazëror prej një çipi t'atdheut në
tjetrin, duke treguar një ndërgjegje kombëtare të pamohuarshme.

Mjerisht, në vjetët e pastajmë kombi shqiptar nuk u mbajt dot në këtë lartësi. Dhe
arësyet janë të kuptuarshme. Më 1920, lufta e tij ishte kombëtare kundër shkelësve të
huaj, për të cilën ai ishte rysur e pregatitur nga ngjarjet e mëparshme. Kurse pastaj
filloi lufta politike e brendëshme, për të cilën Shqiptarët nuk ishin të pregatitur. Plagët
e vjetra shoqërore, vijat e përçarjevet dhe mendësitë e ndryshme të krijuara gjatë
shekujvet hynë përsëri në lodër, duke i sjellë atij populli të mjerë vuajtje të
papërshkruarshme.

XXVI
Shtetit të ri i paraqitëshin probleme të rënda, sepse çdo gjë ishte për t'u krijuar.
Shqipëria kishte dalë prej Perandorisë Otomane me një strukturë ekonomike primitive
dhe me sistemin shoqëror të kohës së sulltanëvet. M'e keqja ishte se ajo kish dalë si
një shtet gjysmak, me kufij artifiçialë që këpusnin prej trupit të saj krahinat më
pjellore dhe me popullsi më të dëndur, siç ishin Kosova e Çamëria, pjesë natyrore të
Shqipërisë, që lidhëshin me këtë, nga ana gjeografike, ekonomike e njerëzore, si
gjymtyrët e një organizmi.
Në këto kushte, ishte shumë e vështirë që Shqipëria të gjente një ekuilibër ekonomik e
shoqëror të brendëshëm, në pajtim me qytetërimin e kohëvet të reja. Prandaj edhe jeta
politike e saj kaloi nëpër një varg ngjarjesh të shëmtuara, nga të cilat nuk ka dalë
akoma.

Shteti shqiptar i porsalindur paraqiste një grumbull kontrastesh që duhëshin zbutur,


pajtuar, për t'a bërë të mundshme jetën e tij. Këta kontraste ishin fort të dukshëm në
rrafshin shoqëror ekonomik dhe në rrafshin shpirtëror.

Dy elementet kryesorë t'ekonomisë shqiptare ishin bujqësia dhe blegtoria. Por e


shumëta e tokavet pjellore nëpër fushat përbënte prona të mëdha ose çifliqe në
zotërim të bejlerëvet, domethënë të klasës gjysëm-feudale që kishte pasur fuqinë gjatë
sundimit otoman. Kurse në malësitë e veriut qëndronte klasa patriarkale e krerëve dhe
e bajraktarëve. Këta, duke mos pasur toka, qenë mësuar të shisnin gjakun e
malësorëvet duke i bërë të vritëshin si merçenarë, djathtas e majtas, në shërbim të
Turqisë a të kujtdo që i paguante. Me bejlerë e bajraktarë mbahej kleri, i cili atëhere,
sikurse dhe sot, merrej më shumë me politikë se sa me fe, ose më mirë të themi e
përdorte fenë për qëllime politike. Bejlerët ishin përgjithësisht klasa m'e mësuar dhe
m'e stërvitur n'administratë, mbasi kishin qeverisur në kohën e Turqisë. Mandej jo
vetëm që kishin akoma fuqi në popull, po edhe dinin të tërhiqnin pas tyre klerin,
agallarët, borgjezinë, dhe deri krerë e bajraktarë të veriut. Prandaj në të gjitha qeveritë
shqiptare, prej vitit 1912 dhe gjer pas 1920-ës, vendin e parë e zinin bejlerët dhe rolin
kryesor e loznin këta. E vërteta është që bejlerët e kishin shqisën politike mjaft të
hollë, më të shumtën e herës kërkonin përkrahjen e klerit dhe t'atdhetarëvet duke ftuar
e pranuar në qeveri disa përfaqësonjës të këtyre. Ky "bashkëpunim" mund t'ecte
shumë a pak përsa kohë që tërë përpjekja e Shqiptarëvet bëhej në drejtim të pavarësisë
kombëtare. Sepse as bejlerët nuk kishin interes që vendi të pushtohej prej Greqisë dhe
Jugosllavisë, të cilat do t'ua rrëmbenin, me kohë, pozitat dhe çifliqet. Kurse kundrejt
Italisë, që kishte shumë të ngjarë t'a sundonte Shqipërinë sipas mënyrës koloniale, në
bashkëpunim me klasën feudale të vendit, nuk treguan kundërshtim të gjithë bejlerët.
Gjatë Luftës së Vlorës, për shembull, Eqrem Vlora, Myfit Libohova, Fejzi Alizoti e të
tjerë mbajtën anën e Italisë.

Natyrisht, përveç bejlerëvet, ishin atdhetarët e dalë nga borgjezia ose edhe nga
populli, prej të tri fevet, dhe të shumët shkollarë. Por këta nuk përbënin dot një rreth
më vehte pa bejlerët, të cilët kishin jo vetëm emër dhe fuqi po edhe përvojë politike
më tepër. Prandaj këta bashkëpunuan gjithmonë me bejlerët, dhe s'mund të bënin
ndryshe përsa kohë që përpjekja kishte për qëllim pavarësinë kombëtare.

Kur Shqipëria u njoh shtet më vehte pas vitit 1920, vëmendja e të gjithëve u kthye në
luftën politike të brendëshme. Atëhere filluan të përpiqëshin interesat në kundërshtim.
Bejlerë e agallarë nuk donin të humbisnin pozita e çifliqe, krerë e bajraktarë të veriut,
mësuar të jetonin autonomë dhe të bënin si t'iu pëlqente nëpër krahinat e tyre, jo
vetëm që s'kishin dëshirë t'i shtrohëshin një qeverie qendrore, por kërkonin edhe rroga
nga çdo anë që t'iu delnin; kleri s'mund të rrinte pa bërë pak politikë dhe pa futur
hundën kudo; atdhetarët e dalë prej radhëvet të borgjezisë ose të popullit kishin
nevojë, edhe këta, për ndonjë rrogë të majme e ndonjë copë kolltuk, si shpërblim për
shërbimet e kryera ndaj atdheut. Prej vitit 1922, filluan të grumbullohëshin në
Shqipëri edhe besnikët e Sulltanit që përzuri prej Turqie revolucioni Qemalist; nisën
edhe këta të kërkonin pozita e rroga prej një Shqipërie, e cila u ra ndër mend në
minutën e fundit kur s'kishin se ku të vinin.

E tërë kjo tufë parazitësh duhej të jetonte tash në kurriz të një shteti të vogël, të një
ekonomie primitive, të një populli të varfër, i cili tani ndodhej i mbyllur brenda
kufijve të ngushtë dhe nuk mund të përhapej më, për të fituar, në tërë Perandorinë
Otomane, si më përpara. I vetëmi kurbet ku Shqiptarët mund të fitonin dhe të
ndihmonin familjet e tyre kishte mbetur tani Amerika; po edhe të hollat që hynin prej
Amerike në Shqipëri, mezi mjaftonin për të ngritur më këmbë murishtat e djegura prej
Grekëvet, për të mbajtur familjet e mbetura pa strehë.

Sa për popullin, nëntëdhjetë për qind përbëhej prej fshatarësh dhe malësorësh. Mbasi
industri nuk kishte pothuajse fare, punëtoria e qytetevet ishte aq e pakët sa që nuk
çonte asnjë peshë. Kurse borgjezia (tregëtarë e zejtarë të pasur) tërhiqej xvarre pas
klasës sundonjëse.

Populli (fshatarë e malësorë) kishte lëvizur deri atëhere vetëm për të mprojtur vendin
kundër armiqve të jashtëm, domethënë s'kuptonte tjetër përpjekje përveç luftës
kombëtare. Është e vërtetë se në jugë, dhe deri diku në Shqipërinë e Mesme, fshatarët
nuk e donin klasën e bejlerëvet. Por mbasi ishin mësuar prej shekujsh që të shkonin
pas tyre, dhe s'kishin asnjë ide për reformën agrare, për bankat dhe organizimet
bujqësore n'interes të fshatarësisë, qëndronin të lidhur si më parë. Pastaj pak nga pak u
shkëputën prej bejlerëvet por, duke mos pasur një organizim të fshatarësisë, mbetën
përsëri të lidhur pas disa krerëve më të vegjël, agallarë e borgjezë, ose ranë në mos
interesim. Ata që vazhduan t'a kishin edhe për disa vjet popullin me vehte, qenë krerë
e bajraktarë të veriut. Kjo i detyrohej gjendjes më primitive të popullit t'atyre
krahinave, mbetur në mendësinë e ngushtë të fisit, dhe autoritetit që kishin fituar mbi
të krerë e bajraktarë, të cilët formonin si një hierarki ushtarake të pranuar prej kohësh.
Kështu, ndërsa populli i Shqipërisë së jugës i bindej zakonisht qeverisë qendrore dhe
nuk lëvizte veçse për shkaqe të mëdha kombëtare, ai i malësivet të veriut ishte gati të
rrëmbente armët saherë që t'a thërrisnin krerët (duke i premtuar, natyrisht, ndonjë
pagesë). Prandaj krerë e bajraktarë të veriut u bënë "sipërmarrësit" e përmbysjevet
politike shqiptare, për të cilët kishin nevojë jo vetëm klikat e ndryshme të Tiranës që
luftonin kundër njëra tjetrës, po edhe armiqtë e jashtëm, në radhë të parë Jugosllavia.
Kjo iu jepte rroga të rregullta disa krerëve të veriut, si në Dibër e gjetkë, dhe provoi
disa herë të përmbyste shtetin shqiptar me anën e tyre. Këta e bënë zakon t'i
lëshohëshin Tiranës sa herë që mund të çonin në këmbë tre a katër qind veta
t'armatosur dhe me nga një thes në krahë, për të bërë një udhë e dy punë: edhe për të
marrë në dorë shtetin, edhe për të plaçkitur dyqanët!

Sa për grindjet e politikanëvet të Tiranës ndërmjet tyre, ndonëse ata formonin "parti"
me emra popullorë e tingëllorë kundër njëri-tjetrit, ato mbetëshin gjithmonë personale,
domethënë të frymëzuara nga "ideologjia" e thjeshtë: "pse të jesh ti n'atë pozitë e të
mos jem unë". Natyrisht, të gjitha lëvizjet e tyre bëhëshin n'emër dhe për të mirë të
popullit: njëri kërkonte reformën agrare, tjetri ishte kundër duke e quajtur këtë si një
murtajë bolshevike; por në të vërtetën, populli, i gënjyer kushedi sa herë, as nuk iu
vinte veshin as nuk i kuptonte të mirat që donin t'i sillnin politikanët e Tiranës. Ai
paguante taksat dhe votonte për atë ose për këtë, nganjëherë mund të çohej edhe me
armë pas atij ose pas këtij, jo për "idenë" e tij po për lidhjet personale që kishte me të.
Zhurmat rreth reformavet, demokracisë etj., i bënte një pjesë e djalërisë së qytetevet, e
udhëhequr atëhere prej Shoqërisë Bashkimi, dhe i trumbetonin disa politikanë me
prejardhje popullore , ose edhe ambiciozë prej klasës së bejlerëvet, që s'kishin ndër
mend t'i zbatonin kurrë, por me anën e kësaj demagogjie donin të gjenin pështetje në
popull kundër rivalëvet të tyre politikë. Mbasi lidhjet me popullin ishin, siç thamë,
personale, dhe zhurmat e djalërisë shkollare nuk dëgjohëshin përtej disa kafeneve
qytetesh, "revolucionet" përfundonin si ai i 1924-ës, duke sjellë në fuqi të tjera klika
që ishin barabar kundër reformavet. Prandaj "lëvizjet popullore me karakter social"
t'atyre kohëve, për të cilat flasin komunistë e "progresistë" janë një paraqitje fantazie.
Dhe çështja është aq afër mendsh sa e kupton edhe një fëmijë: mbasi nuk kishte një
punëtori, dhe mbasi fshatarsia nuk ishte e organizuar dhe drejtuar, kush do t'a bënte
"lëvizjen popullore", çifligarët dhe politikanët e të gjitha aventuravet që ishin
mbledhur në Tiranë? Është e vërtetë se një borgjezi m'e mësuar filloi të mëkëmbej
dhe, bashkë me një pjesë shkollarësh, formoi pak nga pak një lloj klase të mesme, por
kjo nuk dëgjohej në popullin fshatar e malësor, i cili shkonte akoma pas lidhjevet të
vjetra.

Këtë përbërje të strukturës shoqërore shqiptare dijti t'a shfrytëzonte Zogu, i cili ishte
më praktik nga kundërshtarët e tij. Zogu nuk u lodh me "ide e programe reformash",
por lidhi pas vehtes, me anë rrogash dhe gradash, disa krerë e bajraktarë të malësivet
të veriut, duke i bërë "oficerë kreshnikë" dhe duke iu lënë, natyrisht, "dorë të lirë"
nëpër krahinat e tyre. Me këtë fuqi i theu kundërshtarët e tij, u bë diktator, mbret, dhe
formoi administratën e shtetit me "besnikë", domethënë me rrogtarë të nënshtruar
e dallkaukë. Më vonë Zogu, i shtytur prej Italisë, krijoi edhe një ushtëri, por sa për
paradë, sepse fuqinë e mbajti duke u pështetur në "kreshnikët", me anën e të cilëvet
shtypte kryengritjet që çohëshin kundër tij. Ky sistem pabarasie shoqërore qëndronte,
natyrisht, mbi një shkallë pabarasie ekonomike shumë të largët ndërmjet të pasurvet
dhe të vobektëvet. Këtyre iu mungonte buka e kripa, kurse të pasurit (çifligarë,
monopolistë e njerëz të regjimit) jetonin në një luks që bënte kontrast të dhëmbshëm
me varfërinë e vendit.

Kontrastevet shoqërorë edh'ekonomikë iu shtohëshin kontrastet shpirtërorë. Si në çdo


vend, mendësia e Shqiptarëvet paraqiste ndryshmësitë e saja prej krahine në krahinë,
diku m'e hapur diku m'e mbyllur, sipas shkallës së zhvillimit që kishte arritur secila.
Një ndryshmësi më të madhe ndoshta paraqiste mendësia e shkollarëvet, të cilët nuk
ishin edukuar në një qendër kulture shqiptare, por nëpër shkolla turke, greke, italiane,
austriake, frënge, amerikane etj., duke marrë secili diçka nga mendësia e popullit ku
kishte bërë mësimet. Mbi të gjitha këto, kontrasti shpirtëror m'i madh ishte ai i krijuar
prej fevet. Turkomania dhe grekomania, këto dy murtaja të kombësisë shqiptare, nuk
mund të shlyhëshin nga shpirti i atyre që i kishin pasur, prej një dite në tjetrën, sepse
Shqipëria dolli shtet i pavarur. Por kushtet e jashtëme për njërën ndryshuan dhe nuk
ishin si për tjetrën. Myslimanët turkomanë mund të derdhnin lot mallëngjimi sa të
donin për kohën e Baba Dovletit, Shqipërinë prej Turqisë e ndante tani gjeografia;
revolucioni Qemalist i fshiu mbeturitë e fanatizmit mysliman edhe në Turqi vetë;
Komuniteti Mysliman shqiptar nuk varej më prej Sheh-yl-Islamit, të cilin Mustafa
Qemali e përzuri edhe prej Turqie më 1924. Kështu turkomanët shqiptarë do të
shërohëshin me kohë prej lëngatës së tyre, ose s'mund t'ia linin trashëgim nipërisë.
Kurse puna ishte krejt ndryshe me grekomanët. Sepse Greqia ishte gjithmonë në kufi,
politika e saj kundrejt Shqipërisë, e pështetur në fenë, nuk kishte ndryshuar as një
qime, as mendësia e Grekëvet që fe e kombësi i përzjejnë bashkë. Kleri orthodoks,
shumica grek ose i rritur në shkolla greke, nuk mund të zvirdhej aq lehtë prej
helenizmit, dhe propaganda greke iu trumbetohej orë e çast Orthodoksvet shqiptarë se
gjoja ishin një pakicë e shtypur prej Myslimanëvet. Ishte e vërtetë se atdhetarët
orthodoks qenë munduar t'a kundër-luftonin këtë propagandë, por ndjenjat grekomane
i kishin rrënjët më të thella: ishte çështje kulture dhe fanatizmi fetar gjatë shekujve.
Për t'a kombëtarizuar Kishën e tyre ashtu siç kanë bërë të gjithë popujt orthodoks të
botës, Shqiptarët orthodoks t'Amerikës, me Fan Nolin në krye, e organizuan Kishën
shqiptare si një dioqezë të pavarur që më 1919. Fan Noli përkëtheu shqip një pjesë të
liturgjisë. Më 1922, Kongresi i Përgjithshëm i Orthodoksve Shqiptarë, mbledhur në
Berat, shpalli Kishën Autoqefale Shqiptare, të cilën Patriakana e njohu 15 vjet më
vonë, më 1937, duke e bekuar me tomin e saj si Kishë të pavarur. Por kjo nuk i pengoi
Grekët që të vazhdonin këngën e vjetër duke helmatisur me propagandën e tyre
popullsinë orthodokse, sidomos borgjezinë e edukuar nëpër shkolla greke, e cila e
ndjente vehten gjithmonë "të shtypur", edhe kur Shqipëria e shtypte me napolona ari!

Përpara se të bëjmë një përmbledhje të shkurtër mbi ngjarjet e pastajme të Shqipërisë,


ishte e nevojshme që të hidhnim këtë shikim mbi kontrastet shoqërorë dhe shpirtërorë
nëpër të cilët u zhvillua jeta politike shqiptare pas fitimit të pavarësisë. Përndryshe ato
ngjarje do të mbetëshin të pakuptuarshme.

Është për t'u shënuar me kënaqësi se qeveritë shqiptare, të gjitha sa erdhën njëra pas
tjetrës, sado të meta që të kenë pasur n'anë të tjera, treguan shumë kujdes që të
qëndronin krejt të paanshme përsa iu përkiste fevet. Shqiptarët u shikuan të njëllojtë,
të paktën nga kjo anë. Ky shpirt vëllazërimi ndërmjet fevet u tregua prej udhëheqësvet
që në kohën e Lidhjes së Prizrendit, ose edhe më parë. U vërtetua në qeverinë e Ismail
Qemalit si dhe në të tjerat që erdhën pastaj. Është tjetër punë se çfarë vlefte morale
kishin njerëzit që zinin vend në qeveri e në shkallët e larta të shtetit; kjo varej nga
regjimet, dhe ishte një e keqe e barabartë për nënshtetasit e të tri fevet. Mbasi shumica
e madhe e atyre që patën administruar dhe mbajtur armët në dorë në kohën e Turqisë
kishin qënë myslimanë, ishte krejt e kuptuarshme që këta elemente, të cilët
ndodhëshin gati, do të përbënin shumicën edhe n'administratën dhe në kuadrat e
fuqivet t'armatosura të shtetit të ri shqiptar. Sikurse elemente të fevet të tjera, të cilët
ishin më të mësuar, përbënin shumicën në kuadrat e arësimit të mesëm dhe ndoshta në
disa degë të tjera t'administratës shtetërore. Nëqoftëse regjimi i Zogut u pështet më
fort në fuqinë e disa malësive të veriut, kjo nuk u bë për çështje feje po për arësyet që
treguam më sipër dhe iu rëndonte njëlloj edhe krahinave të tjera myslimane. Prandaj
një farë ndieshmërie e tepëruar që tregonin disa elemente se gjoja ishin viktimë e
dallimevet fetare, nuk na duket e justifikuarshme.

XXVII
Pas tërheqjes s'Italianëvet, dhe pasi u ndal mësymja e ushtërisë jugosllave, qeveria e
Sulejman Delvinës, për të çuar në vend vullnetin e shprehur në Kongresin e Lushnjës
dhe kërkesën e disa krahinave, vendosi, më 14 Nëntor 1920, t'i propozonte Këshillit të
Lartë dhe Këshillit Kombëtar që të shpallëshin zgjedhjet për Asamblenë
Kushtetonjëse, e cila do të caktonte në mënyrë përfundimtare Statutin e shtetit dhe
formën e regjimit. Hapej skena e politikës së brendëshme të shtetit shqiptar. Këtu
filluan të delnin kundërshtime prej elementesh të tjerë që nuk e shihnin në të njëjtën
mënyrë çështjen e zgjedhjevet parlamentare. Si përfundim, Sulejman Delvina dha
dorëheqjen, dhe qeveria e re u formua më 19 Nëntor nën kryesinë e Iljaz Vrionit. Pasi
i dha votëbesimin qeverisë së re, Këshilli Kombëtar u shpërnda për t'ia lënë vendin
parlamentit që do të zgjidhej pas tij. Ligji i zgjedhjevet që shpalli qeveria e Iljaz
Vrionit, më 5 Dhjetor 1920, nuk parashikonte asamble kushtetonjëse, por një
parlament ose këshillë kombëtar më të gjerë nga ai që kishte dalë prej gjirit të
Kongresit të Lushnjës. Kjo linte të kuptohej se Statuti i shtetit shqiptar dhe regjimi,
me një Këshillë të Lartë në krye, do të mbetëshin hëpërhë ashtu si ishin. Zgjedhjet do
të bëhëshin jo drejtpërdrejt prej të gjithë burravet në moshë madhore, por nëpërmjet
zgjedhësash të dytë: domethënë çdo numër prej 500 meshkujsh njëzet vjeç e lart
caktonte një zgjedhës të dytë, dhe ky votonte për zgjedhjen e deputetit. Mbasi
deputetët do t'ishin një për 12.000 frymë, për zgjedhjen e secilit mjaftonin 24
zgjedhësa të dytë. Kështu klasa sundonjëse e kishte më lehtë të merrej vesh me
zgjedhësat e dytë, të cilët ishin zakonisht nga parësia e vendit, se sa me tërë popullin.
Por, me thënë të vërtetën, kjo mënyrë e zhdrejtë zgjedhjesh imponohej vetvetiu, se
populli në përgjithësi nuk dinte se ç'ishte parlamenti, as ç'ishin deputetët, as për kë të
votonte. Megjithatë, fushata e zgjedhjevet u zhvillua mjaft e nxehtë, sidomos për
shkak të ndieshmërisë fetare, e cila n'atë kohë prekej shumë shpejt, sepse, sado kujdes
që të tregonin qeveritë, të Krishterë e Myslimanë, në disa qytete, shikohëshin akoma
si vëllezër prej njerke.

Zgjedhjet u bënë në Prill 1921, pa asnjë shtrëngim prej autoritetevet, dhe u krijua
kështu i pari parlament shqiptar me nja 75 deputetë. Siç e do zakoni i demokracisë,
nuk vonuan të formohëshin grupet parlamentarë. Dy "parti" u gjendën menjëherë
përballë njëra-tjetrës: partia "Popullore", ose e reformavet, e cila mbulohej me
kryesinë e Fan Nolit, por kishte edhe bejlerë si Eshref Frashërin dhe vetë Ahmet
Zogun, që loznin sigurisht një rol më të rëndësishëm përbri shkollarësh të rinj si
Stavro Vinjau. Partia tjetër u quajt "Përparimtare" dhe, përveç çifligarëvet të mëdhenj,
përmblidhte grupin e irredentistëve kosovarë, disa nga deputetët e Shkodrës, e të tjerë.
Kjo paraqitej si e kryesuar nga Hoxha Kadriu, refugjat kosovar, por në të vërtetën
drejtohej prej Shefqet Vërlacit. Siç shihet, këta grupe ishin një përzjerje elementesh të
mbledhur rastësisht, që s'mund të kishin kurrfarë vije as programi të përbashkët.
Populli i krahinavet interesohej fare pak se në sa grupe ndahëshin e bashkohëshin
deputetët e tij në Tiranë.

Veçse regjimi parlamentar nuk filloi me fat të mbarë në Shqipëri. Dy muaj pas
mbledhjes së parlamentit (i cili u hap në Tiranë më 21 Prill 1921), ngriti krye
Kapidani i Mirditës, Marka Gjoni, i shtytur e i ndihmuar prej Jugosllavisë për të
përmbysur shtetin shqiptar. Pas tërheqjes s'ushtërisë italiane, Jugosllavia dhe Greqia
vazhduan të mos ia njihnin Shqipërisë kufijtë e 1913-ës, dhe i shtuan përpjekjet për t'a
shkallmuar këtë nga veriu e nga juga. Qeveria e Tiranës provoi të vendoste
marrëdhënie të mira me të dy fqinjët duke mos kërkuar prej tyre asgjë tjetër veçse
njohjen e kufijvet që pati caktuar Konferenca e Londrës. Por ato deshën të përfitonin
nga pafuqia e shtetit shqiptar dhe nga puna që kufijtë e tij nuk qenë njohur akoma prej
Lidhjes së Kombevet as prej fuqivet të mëdha. Greqia u vu të shtynte organizimin e
komiteteve "vorio-epirote" dhe të niste trubullime në Himarë duke futur fshehtas armë
e municione. Grekomanët punonin me zell për të. Kurse Jugosllavia përdorte si vegla
krerët e Shqipërisë së veriut, disave prej të cilëvet iu paguante rroga të përmuajshme.
Ata, siç qenë mësuar në kryengritje të përhershme kundër Turqisë për të mos njohur
qeveri mbi kokë, vazhdonin të njëjtin zakon tani kundër Tiranës, pa u menduar një
grimë se Jugosllavia do t'ua shtypte më në fund ato koka të trasha.
Mbasi nuk mundi të merrej vesh me fqinjët drejtpërdrejt, qeveria shqiptare iu drejtua
Lidhjes së Kombevet, më 29 Prill dhe 21 Qërshor 1921, duke kërkuar prej këtij
organizmi të lartë ndërkombëtar njohjen e kufijve të Shqipërisë që pati caktuar
Konferenca e Londrës. Por Jugosllavia e Greqia i kundërshtonin ata kufij, duke e
quajtur të pavlefshëm vendimin e Konferencës së Londrës, dhe kërkonin që çështja të
rishikohej, jo prej Këshillit të Lidhjes së Kombevet, po prej Konferencës
s'Ambasadorëvet, në Paris, e cila përbëhej tani nga përfaqësonjësit e Anglisë, të
Francës, t'Italisë dhe të Japonisë. Këshilli i Lartë i Konferencës së Paqes ia kishte lënë
"trashëgim" çështjen shqiptare Konferencës s'Ambasadorëvet. Jugosllavia me Greqinë
e pëlqenin këtë gjë, sepse kishin më shumë shpresë të gjenin përkrahje tek fuqitë e
mëdha se sa në Lidhjen e Kombevet, që ishte një organizëm ndërkombëtar m'i gjerë.

Si përfaqësonjës i Shqipërisë në Lidhjen e Kombevet u dërgua Fan Noli, i cili e


mprojti shumë mirë çështjen shqiptare dhe kërkoi nga Këshilli i Lidhjes që të njihte
kufijtë e Shqipërisë caktuar prej Konferencës së Londrës më 1913. Por Këshilli i
Lidhjes së Kombevet, me një vendim që mori më 25 Qërshor 1921, ia la në dorë atë
çështje Konferences s'Ambasadorëvet, e cila zëvendësonte Këshillin e Lartë të
Konferencës së Paqes. Në Konferencën e Ambasadorëvet, Jugosllavia e Greqia kishin
gjithmonë përkrahjen e Francës.

Duke përfituar nga gjendja e brendëshme e Shqipërisë, Jugosllavia desh t'a


shkallmonte këtë me anën e Shqiptarëvet vetë dhe t'i tregonte botës së jashtëme,
veçanërisht Konferencës s'Ambasadorëvet dhe Lidhjes së Kombevet, se Shqiptarët
nuk mund të formonin një shtet. Për këtë qëllim gjeti Kapidanin e Mirditës, Marka
Gjonin. Ky pat qëndruar ca kohë në Prizrend, ku ishte marrë vesh me qarqet
jugosllave për t'iu shërbyer planevet të tyre. Me të hollat dhe armët që i dha
Jugosllavia, u kthye në Mirditë dhe filloi kryengritjen nga mbarimi i Qërshorit 1921.
Disa javë më parë, shtypi jugosllav kishte filluar një fushatë kundër qeverisë së
Tiranës, të cilën e paraqiste si pasardhëse të Turqve të Rinj dhe përndjekëse të
Katolikëvet. Kështu na dolli Jugosllavia "mprojtëse" e katolikizmit.

Nga kjo fushatë, kuptohet se qarqet jugosllave menduan që Marka Gjoni do të mund
të tërhiqte rreth tij gjithë katolikizmin shqiptar. Por mbasi Kapidanin, në rrugën e
trathëtisë, nuk e ndoqi as e tërë Mirdita, ai u shtrëngua të këthehej përsëri në
Jugosllavi ku, nën mprojtjen e Jugosllavëvet dhe i këshilluar prej tyre, shpalli në
Prizrend "republikën e Mirditës" më 17 Korrik 1921. Pastaj me anën e Jugosllavëvet
iu drejtua Lidhjes së Kombevet, si edhe Jugosllavisë, Greqisë e Italisë që t'a njihnin
"republikën" e tij.

Duke i përdorur parullat e politikës si lodrat e majmunëvet në cirkus, qarqet


jugosllave ia paraqitën botës "republikën" e Marka Gjonit si një rast i së drejtës së
vetvendosjes së popujvet. Dhe mbasi i shtynë punët deri aty, i dhanë Marka Gjonit
ushtëri jugosllave, artileri, banda kriminelësh t'arratisur në Jugosllavi, dhe e nisën për
në Mirditë.

Kjo ngjarje e shëmtuar e tronditi shtetin e ri shqiptar, përbrenda, dhe ia rrëzoi vleftën
përpara botës. Në të njëjtën kohë, nisën edhe Grekët ngacmimet e tyre në kufij, ku
kishin prurë forca të reja, dhe komitetet "vorio-epirote" i shtuan ulurimat e bërtimat,
n'Athinë, në Janinë e në të tjera qytete të Greqisë.

Qeveria shqiptare u përpoq t'i bënte ballë gjendjes. Fuqi të reja u thirrën ndën armë
dhe u formuan trupa vullnetarësh. Dy "grupet parlamentarë" u muarën vesh
përkohësisht për t'i dhënë qeverisë një bazë më të gjerë. Por nuk ishte Iljaz Vrioni ai
që mund t'a përballte atë gjendje. Njeriu m'i fortë n'ato rrethana ishte Ahmet Zogu, por
këtë e druanin të tjerët dhe mundohëshin t'a mbanin në fre sepse i kishin kuptuar
qëllimet e tija diktatoriale. Pas shumë bisedimesh e vajtje-ardhjesh ndërmjet grupesh e
klikash, u gjet e nevojshme që të dy "partitë" të bënin "Bashkimin e Shënjtë", nga i
cili do të delte një qeveri e pranuar prej të gjithëve. Porsa u brohorit, më 11 Tetor,
"Bashkimi i Shënjtë" caktoi një komision prej tre vetash, Bajram Currin, Qazim
Koculin dhe Avni Rustemin, për t'i propozuar parlamentit qeverinë e re. Kjo u formua
më 19 Tetor nën kryesinë e Pandeli Evangjelit. Për të qënë m'e lirë në vepërimet e
saja, qeveria e re i kërkoi Këshillit të Lartë, dhe ky e pranoi, që të dekretonte mbylljen
e sesionit parlamentar gjer në Jenar 1922.

Ndërkohë, fuqitë shqiptare ishin munduar t'iu qëndronin bandavet të Marka Gjonit. Në
Tetor 1921, përfaqësonjësi jugosllav n'Asamblenë e Lidhjes së Kombevet e paditi
qeverinë shqiptare se gjoja bënte një politikë fanatizmi mysliman që synonte çfarosjen
e të Krishterëvet. Këtë shpifje të ndyrë e përgënjeshtruan me një telegram drejtuar
Lidhjes së Kombevet Arqipeshkvi i Shkodrës, Abati i Mirditës dhe grupi i deputetëvet
katolikë.

Mbasi ndërhyrja jugosllave në Shqipëri po rrezikonte paqen, Konferenca e


Ambasadorëvet nuk mund t'a mbante më të mbyllur në sirtar çështjen shqiptare.
Ndonëse Franca mbetej gjithmonë armike numër një e Shqipërisë, Anglia kish
ndërruar qëndrim qysh pas Kongresit të Lushnjës dhe Luftës së Vlorës. Pastaj Italia,
mbasi u tërhoq prej Shqipërie, nuk mund të pranonte që ai vend të pushtohej prej
Greqisë dhe Jugosllavisë. Sa për Anglinë, ndërrimi i qëndrimit të saj lidhej sigurisht
edhe me vajgurin e nëntokës shqiptare, për të cilin flitej se ekspertët austriakë dhe
italianë kishin diktuar gjatë Luftës shtresa shumë të pasura. Shoqëria Anglo-Persiane
ishte vënë në lëvizje dhe kish dërguar në Shqipëri, qysh në Mars 1921, përfaqësonjës
të saj për të marrë nga qeveria e Tiranës lejën e kërkimevet dhe mundësisht
konçesionin e vajgurit.
Sidoqoftë, më 7 Nëntor 1921, Kryeministri i Anglisë, Lloyd George-i, i drejtoi një
telegram Lidhjes së Kombevet, me anën e të cilit e padiste Jugosllavinë si një shtet që
po trubullonte paqen në Ballkan dhe kërkonte tërheqjen e ushtërive të saj prej
Shqipërisë së veriut gjer në vijën e kufijvet të 1913-ës. Dy ditë më vonë, më 9 Nëntor
1921, me këmbënguljen e Anglisë dhe t'Italisë, Konferenca e Ambasadorëvet i hodhi
poshtë mtesat e Grekëvet dhe vendosi t'a njihte Shqipërinë shtet të pavarur me kufijtë
e 1913-ës. Por as këtë radhë nuk shpëtoi e mjera Shqipëri pa disa qethje të kufijvet në
dobi të Jugosllavisë, e cila përkrahej djallëzisht prej Francës. Iu njoh akoma asaj një
pjesë e mirë toke që përfshinte mjaft fshatra prej krahinavet të Lumës, Hasit dhe
Gollobordës. Qeveria shqiptare protestoi kundër këtij cënimi që po i bëhej për të
tretën herë Shqipërisë, po ku dëgjohej zëri i saj? Në të njëjtën ditë, Konferenca e
Ambasadorëvet mori edhe një vendim tjetër që prekte sovranitetin e Shqipërisë, duke i
njohur Italisë disa interesa të veçanta dhe një pozitë të privilegjuar mbi këtë vend.
Sipas arësyes së shprehur në vendimin, prej cënimit të kufijvet ose të pavarësisë së
Shqipërisë mund të rrezikohej sigurimi strategjik i Italisë. Prandaj, në një rast t'atillë,
nëqoftëse Shqipëria nuk do t'ishte në gjendje të mprohej vetë, mund të kërkonte
ndihmën e Lidhjes së Kombevet. Atëhere Anglia, Franca, Italia dhe Japonia do t'i
propozonin Këshillit të Lidhjes që t'ia ngarkonte Italisë detyrën e rivendosjes së
kufijvet të Shqipërisë. Në të njëjtën mënyrë do të veprohej edhe në rast se vihej në
rrezik pavarësia ekonomike e Shqipërisë. Siç shihet, fuqitë e mëdha e linin shtetin
shqiptar në sferën e interesavet t'Italisë.

Pas kësaj marrëveshjeje të re mbi Shqipërinë, Konferenca e Ambasadorëvet vendosi


që të dërgohej një komision ndërkombëtar për të caktuar në vend kufijtë e saj.

Nga ana tjetër, edhe Lidhja e Kombevet vendosi që të dërgonte sa më shpejt një
komision në Shqipëri për të hetuar gjendjen. Ky Komision Hetues ndërkombëtar, nën
kryesinë e profesorit suedez Sederholm, arriti në javën e fundit të Nëntorit dhe i
telegrafoi Lidhjes se, sipas hetimevet të bëra, ideja e një "republike të Mirditës" ishte
krejt e pathemeltë, se Marka Gjoni me përkrahësit e tij ishin arratisur në Jugosllavi
dhe se qetësia m'e plotë mbretëronte n'atë krahinë. Komisioni Hetues i Lidhjes së
Kombevet e shëtiti të gjithë vendin, prej veriut në jugë, dhe raporti i tij, që u botua në
Qërshor 1922, e paraqiste në dritë të mirë kombin shqiptar, duke ia vënë në pah
cilësitë e vlefshme dhe mundësitë e zhvillimit. Vërtetonte gjithashtu se të qënët e
Shqipërisë si shtet i pavarur ishte gjë fort e nevojshme nga pikëpamja ndërkombëtare
për sigurimin e paqes në Ballkan. Komisioni i gjeti të pathemelta mtesat e Grekëvet.
Ai u shpreh në mënyrë të prerë se të Krishterët e Shqipërisë së jugës nuk duhej
kurrsesi të merrëshin për Grekë. Sipas atij, në tërë prefekturë e Gjirokastrës kishte nja
33.000 Grekofonë, dhe jo më tepër se 40.000 në tërë Shqipërinë. Raporti i Komisionit
Hetues vlejti shumë për të davaritur në qarqet e Lidhjes së Kombevet mendimet e
gabuara dhe propagandën e keqe rreth kombit shqiptar.
Për të shtypur rebelizmin e Marka Gjonit, qeveria e Tiranës ia ngarkoi kumandën e
operacionevet Ahmet Zogut duke i dhënë ndihmës Bajram Currin. Por mbasi
Jugosllavia u detyrua t'i tërhiqte trupat ushtarake deri në vijën e re që caktoi
Konferenca e Ambasadorëvet, s'kish sesi t'a ndihmonte Marka Gjonin me fuqi
t'armatosura. Prandaj ky u shpartallua prej forcavet shqiptare dhe u shtrëngua
t'arratisej përsëri në Prizrend. Kur erdhi Komisioni Hetues i Lidhjes së Kombevet, në
Mirditë mbretëronte qetësia.

Porsa që pavarësia dhe kufijtë e shtetit shqiptar u siguruan prej Konferencës


s'Ambasadorëvet, më 9 Nëntor 1921, dhe rreziku i jashtëm u largua hëpërhë,
"Bashkimi i Shënjtë" u çthur, grupet e mëparshëm rifilluan grindjet midis tyre, dhe
qeveria e Pandeli Evangjelit u gjend në pozita të vështira. Më në fund qeveria erdhi në
kundërshtim të hapët me Këshillin e Lartë, i cili e detyroi Pandeli Evangjelin të jepte
dorëheqje. Por ata që u ngarkuan të formonin qeverinë e re, i pari, Qazim Koculi, pas
këtij, Hasan Prishtina dhe, i treti, Idhomene Kosturi, s'iu qëndruan dot kundërshtarëvet
dhe u rrëzuan njëri pas tjetrit brenda pak ditësh.

Në qendër të kësaj lëkundjeje, të këtij shqetësimi, ishte sigurisht figura e Ahmet


Zogut, që po merrte rëndësi përditë e më tepër dhe i trembte të tjerët, sidomos
Këshillin e Lartë. Ahmet Zogu po e sundonte grupin "popullor" në parlament, aq sa
antarët demokratë të këtij grupi, me Fan Nolin në krye, ishin tërhequr më vehte. Pas
operacionevet në Mirditë, Ahmet Zogu ishte në gjendje të lozte një rol më të madh,
sepse kishte në dorë pjesën më të mirë të forcavet t'armatosura. Këtë "armë" deshën
t'ia hiqnin nga dora. Këshilli i Lartë dhe qeveria katër-ditëshe e Hasan Prishtinës, e
cila e shkarkoi nga kumanda e përgjithshme e operacionevet duke emëruar në vend të
tij Bajram Currin. Por Ahmet Zogu nuk pranoi t'a dorëzonte kumandën, as me urdhër
të Hasan Prishtinës as me atë t'Idhomene Kosturit që ia, përsëriti pas pak ditësh. Në të
vërtetën, urdhërat e dhëna Ahmet Zogut prej kryeministrash si Idhomene Kosturi, i
ngjanin përrallës së minjvet kur menduan t'i varnin zilen maçokut. Urdhërat nuk janë
një copë kartë me një vulë në fund, por janë forcë vullneti e atij që është i zoti të
kumandojë. Dhe ai që nuk e ka atë forcë vullneti, nuk mund të kumandojë dot kurrë.
"Nuk do të kishte regjim më të keq nga demokracia, sikur regjimet e tjerë të mos ishin
treguar më të këqij akoma", thoshte Winston Churchill-i. E meta m'e madhe e
demokracisë - dhe aq më tepër e demokracisë së padisiplinuar - është se duan të
sundojnë e të kumandojnë në një mënyrë të barabartë të gjithë ata që ndodhen në katin
e sipërm të shtetit, si i dobëti dhe i forti, si i afti dhe i paafti. Figura e një të forti iu
hedh hije frike të tjerëvet, të cilët s'mendojnë mandej veç si e si t'i lidhin atij këmb e
duar, si Lilliputianët Gulliverit. Dhe mbasi që të gjithë druajnë se mos po iu del
përpara ai ose ky, zgjedhin zakonisht për në krye të qeverisë a të shtetit atë më të
padëmshmin, i cili është natyrisht edhe m'i paafti. Në këtë mënyrë, duke mos pasur
një autoritet përsipër, të gjithë këta shkëlqesa e ndjejnë vehten krejt të lirë për të bërë
kundër njëri-tjetrit luftë fjalimesh dhe rivalitetesh. Por shumica dërrmonjëse e
popullit, domethënë nëntëqind-e-nëntëdhjetë-e-nëntë për mijë, nuk fiton gjëkafshë nga
fjalimet e këtyre, dhe punët vetvetiu do të katandisen ose në kalbësimin e shoqërisë,
ose n'ardhjen e një regjimi tiranik. Në Shqipëri ngjau kjo e dyta: më parë me Zogun,
pastaj me komunizmin.

Pasi u kthye në Tiranë në krye të forcavet t'armatosura, në gjysmën e Dhjetorit 1921,


Ahmet Zogu mori në dorë edhe kumandën e gjindarmërisë, thirri menjëherë
parlamentin, dhe me anën e këtij rrëzoi antarët e mëparshëm të Këshillit të Lartë duke
i zëvendësuar me katër shkëlqesa të tjerë: Ymer Pashë Vrionin, Refik Bej Toptanin,
Sotir Pecin dhe Ndoc Pistullin. Pastaj formoi një qeveri të re duke vënë në krye të saj
si kukëll Xhafer Ypin, ndërsa Zogu mbante për vehte Ministrinë e Punëve të
Brendëshme. Si ministër i Punëve të Jashtëme u emërua Fan Noli, i cili dha
dorëheqjen pas nja dy muajsh.

Mbas këtyre ngjarjeve, Zogu iu përvesh punës haptas për të lidhur rreth vehtes krerë e
bajraktarë të veriut, çifligarë e konservatorë që iu trembëshin reformavet, dhe ata që
kishin qënë deri atëhere vegla t'Esad Toptanit e të pushtimevet të huaja. Në fillim,
Zogu pat qënë pështetur në forcat nacionaliste dhe, pasi u dallua në Kongresin e
Lushnjës, lozi një rol të rëndësishëm në qeveritë e pastajme për vënien e rregullit dhe
shtypjen e rebelizmavet, i rrethuar prej disa oficerësh atdhetarë që e ndihmuan n'ato
vepërime. Por mbasi doli në plan të parë, s'mendonte tjetër veçse të krijonte fuqi
personale me elementet më konservatore dhe më prapanikë të vendit.

Në parlament, demokratët e partisë "popullore" u ndanë prej rrethit të Zogut dhe,


bashkë me një pjesë të grupit "përparimtar", formuan një opozitë. Por duk' me qënë se
"opozita" s'ia ndalte dot hovin Ahmet Zogut me mënyra parlamentare, disa nga
kundërshtarët e tij, prej krerësh të veriut, deshën të vazhdonin shqiptarçe me anën e
pushkës. Mirëpo "pushka", kur nuk i shërben një qëllimi të përgjithshëm kombëtar ose
shoqëror, kur nuk përdoret në një mënyrë të disiplinuar, të hierarkizuar, të ndërlidhur,
s'mund të sjelli veçse dëm e anarki. Ata krerë të veriut që çohëshin kundër Zogut, nuk
ishin më pak ambiciozë nga ky, as një "dritë" m'e mirë, veçse donin t'a përmbysnin
këtë për t'i zënë vendin. Dhe duke qënë sa koka aq kumanda, jo vetëm që s'ia arrinin
dot ambicjes, por i sillnin dëmin më të madh Shqipërisë duke mos i lënë një çast
qetësie, duke e paraqitur n'opinionin ndërkombëtar si një vend vazhdimisht në
kryengritje dhe duke bërë, me dashje a padashje, lodrën e armiqve të jashtëm.

Nuk ishte tharë akoma gjaku i derdhur prej trathëtisë së Marka Gjonit, kur u lëshua
Elez Isufi nga Dibra për të marrë Tiranën, i lidhur me Halit Lleshin, agjent i paguar i
Jugosllavëvet, Mustafa Krujën, agjent i njohur i Italianëvet, Hamit Bej Toptanin,
feudal rebel, dhe ndonjë atdhetar si Bajram Currin. Këta ngritën krye në Shqipërinë e
veriut dhe të Mesmen, në fillim të Marsit 1922. Prej tyre, vetëm Elez Isufi mundi
t'arrinte gjer brenda në Tiranë. Këshilli i Lartë, qeveria dhe pjesa m'e madhe e
parlamentit iknë nga frika n'Elbasan. Por Ahmet Zogu qëndroi në Tiranë për t'a
mprojtur kreqytetin me forcat e gjidarmërisë, të cilat i kumandonte ai vetë. Ndërsa
zhvillohëshin luftimet nëpër rrugët e Tiranës, ministri i Anglisë, H. Ayres, ndërhyri
miqësisht pranë Elez Isufit dhe ia mbushi mendjen që të këthehej pas. Me tërheqjen e
këtij, Zogu i shpartalloi bandat e Hamit Toptanit dhe mbeti sundonjës i vendit.
Shtypja e kësaj lëvizjeje ia rriti fuqinë më shumë akoma Ahmet Zogut dhe ia forcoi
autoritetin kundrejt qeveritarëvet të tjerë, Këshillit të Lartë dhe deputetëvet, të cilët e
patën mbajtur frymën n'Elbasan.

Ndarja politike e brendëshme po merrte tani vija më të prera dhe po shkonte duke u
përqendruar në dy grupime, që kishin midis tyre kundërshtim interesash dhe
pikëpamjesh: mënjanë, konservatorët, çifligarët e mëdhenj, që po mblidhëshin për ditë
e me tepër rreth Zogut duke e nxjerrë këtë në krye si njeriun e tyre më të fortë; n'anën
tjetër, grupi i opozitës demokratike, ku shquheshin Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro
Vinjau, Avni Rustemi, e të tjerë shkollarë.

Gjatë prendverës dhe verës së vitit 1922, kundërshtimi ndërmjet dy palëvet erdhi duke
u acaruar, si në Tiranë ashtu edhe nëpër krahinat me rastin e zgjedhjevet bashkiake.
Por Zogu duke e sunduar qeverinë si ministër i Punëve të Brendëshme, kishte në dorë
mjetet dhe arkat e shtetit për të pregatitur marrjen e fuqisë, duke vënë më parë njerëzit
e tij në vendet-kyç t'administratës dhe në kumandimin e forcavet t'armatosura. Pastaj,
kur u hap sesioni parlamentar në Shtator t'atij viti, Ahmet Zogu bëri që të zgjidhëshin
si antarë të Këshillit të Lartë Xhafer Ypi dhe Gjon Çoba, në vend të Ymer Pashë
Vrionit dhe Ndoc Pistullit, të cilët ishin tërhequr disa muaj më parë. Kryeministër u bë
ai vetë duke mbajtur edhe Ministrinë e Punëve të Brendëshme.

Mbasi shteti shqiptar, pas aq tronditjesh, po vihej n'udhë, duhej përcaktuar më mirë
struktura e tij dhe sidomos ndarja e fuqivet ndërmjet organevet më të larta të pushtetit.
Statuti i vendosur prej Kongresit të Lushnjës ishte mjaft i kufizuar dhe nuk
parashikonte në hollësi se çfarë lidhjesh ndërmjet tyre dhe fuqie kundrejt njëri-tjetrit
duhej të kishin parlamenti, Këshilli i Lartë dhe qeveria. Mbi këto çështje si edhe mbi
formën e regjimit mund të vendoste përfundimisht vetëm një asamble kushtetonjëse.
Por deri sa të mblidhej kjo, duhej gjetur një mënyrë rregullimi ndërmjet fuqivet
legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, për t'i dhënë shtetit një bazë parlamentare dhe
nënshtetasvet një sigurim të lirivet demokratike.

Këtë desh të bënte parlamenti ose Këshilli Kombëtar, i cili u muar gjatë sesionit të
vjeshtës me zgjerimin e bazavet të "Kanunores së Statutit të Lushnjës", zgjerim që u
votua në Dhjetor 1922. Në parim, mbahej në fuqi regjimi i caktuar prej Kongresit të
Lushnjës, që lidhej me idenë e monarkisë së vitit 1914, por që, në vend të princit,
kishte hëpërhë një Këshillë të Lartë prej katër vetash, antarët e të cilit do të
zgjidheshin prej parlamentit në çdo tre vjet.

Zgjerimi i Statutit të Lushnjës, që përmbante 129 nene të ndarë në katër kapituj,


përcaktonte fuqitë që duhej t'ushtronin Këshilli i Lartë, parlamenti dhe qeveria, si
edhe mënyrën e zgjedhjes ose t'emërimit të tyre. Fuqia e parlamentit shtrihej mjaft:
përveç së drejtës për të vënë ligje, ai zgjidhte Këshillin e Lartë, kontrollonte vepërimet
e qeverisë e cila duhej të merrte prej tij votëbesimin, ratifikonte traktatet dhe
marrëveshjet ndërkombëtare të shtetit, dhe krijonte disa komisione që kishin lidhje me
të, sikurse këshilli kontrollues i financavet etj.

Këshilli i Lartë emëronte qeverinë, kishte kumandën epërore të forcavet ushtarake,


dekretonte ligjet e parlamentit etj. Kurse qeveria zbatonte fuqinë ekzekutive, politikën
e brendëshme e të jashtëme të shtetit, dhe ishte përgjegjëse përpara parlamentit.
Gjykatësit emërohëshin nga Këshilli i Lartë, pas propozimit të një komisioni të
veçantë, dhe duhej t'ushtronin lirisht fuqinë gjyqësore.

Në kapitullin e tretë, shtesat e Statutit të Lushnjës përcaktonin të drejtat e


nënshtetasvet, në pajtim me parimin e demokracisë dhe të lirivet që lidhen me të. Me
zgjerimin e Statutit të Lushnjës krijohëshin kushtet ligjore për t'a vënë shtetin shqiptar
në rrugën e demokracisë, për t'iu siguruar nënshtetasvet liritë brenda ligjit, pas aq
shekujsh tiranie ose anarkie.

Por trubullimet e brendëshme vazhduan edhe në vitin 1923, në Shqipërinë e veriut,


veçanërisht në krahinat e Tropojës dhe të Krumës, ku Bajram Curri me Hasan
Prishtinën provuan të bënin një tjetër kryengritje kundër Zogut. Këto vepërime të
marra tregonin më tepër kokëfortësi se sa një mendim politik të pjekur, dhe s'mund të
kishin tjetër përfundim veçse dëmtimin e popullit dhe forcimin e autoritetit t'Ahmet
Zogut, të cilin shumë veta e shikonin tani si njeriun e domosdoshëm për të mbajtur
qetësinë dhe një farë rregulli n'atë kënd ferri të mallkuar.

Nuk kishin marrë fund as ngatërresat me shtetet fqinjë. Sipas vendimit të Konferencës
s'Ambasadorëvet marrë më 9 Nëntor 1921, Komisioni ndërkombëtar për caktimin e
kufijvet arriti në Shqipëri më 1922. Ai përbëhej prej nga një përfaqësonjësi t'Anglisë,
t'Italisë dhe të Francës; Japonia nuk desh të dërgonte, duke marrë si shkak që
Shqipëria ishte tepër larg për të. Kryetar i Komisionit ishte gjeneral Tellini, italian.
Sipas kërkesës së qeverisë shqiptare, Komisioni desh njëherë të rregullonte çështjen e
26 fshatravet të qarkut të Korçës që Greqia i mbante të pushtuar qyshse i shkeli
ushtëria e saj më 1920. Komisioni vendosi që 14 prej këtyre fshatrave t'i këthehëshin
Shqipërisë, duke ia bërë dhuratë Greqisë 12 të tjerët. Por kjo kërkonte gjëra më të
mëdha akoma, veçanërisht njohjen e Protokollit të Korfuzit të vitit 1914. Pëmdryshe
nuk pranonte bashkëpunim me Komisionin ndërkombëtar për caktimin e kufijvet.
Qeveria shqiptare dhe Komisioni e hodhën poshtë atë kërkesë, dhe iu drejtuan
Konferencës s'Ambasadorëvet dhe Lidhjes së Kombevet, të cilat ndërhynë pranë
Greqisë duke e këshilluar që të tregohej m'e matur. Një valë të fortë sulmimesh kishte
ngritur në shtypin grek çështja e 14 fshatravet të qarkut të Korçës, të cilët Greqia
donte t'i gëlltiste bashkë me 12 të tjerët. Goditjet e shtypit drejtohëshin sidomos
kundër gjeneral Tellini-t, i cili shikohej si përkrahës i anës shqiptare. Prandaj, kur
Komisioni ndërkombëtar rifilloi punimet, më 1923, gjendja ishte fort e acaruar.

Atëhere ngjau një krim tepër i shëmtuar që vetëm fanatizmi kokëngushtë i Grekëvet
mund t'a bënte. Në Gusht 1923, ndërsa Komisioni ndërkombëtar ishte duke udhëtuar
prej Janine në Gjirokastër, bandat greke sulmuan automobilin e gjeneral Tellini-t dhe
e vranë atë bashkë me dy oficerë italianë dhe një përkëthyës shqiptar që e shoqëronin.
Kjo ngjarje tronditi jo vetëm Shqipërinë, po edhe qarqet ndërkombëtare. Grekët e
bënë këtë krim afër kufirit të Shqipërisë me qëllim që t'ua ngarkonin Shqiptarëvet dhe
t'i tregonin këta si një popull t'ulët përpara "qytetërimit helenik". Mirëpo Italianët nuk
hanin bar. Më parë se prefekti i Gjirokastrës, Kolë Tromara, t'a vërtetonte brënda tri
ditësh me prova të pakundërshtuarshme që krimi ishte bërë prej Grekëvet, Italia
pushtoi Korfuzin dhe i kërkoi Greqisë 50 milionë lireta si dëmshpërblim për vrasjen e
gjeneralit dhe t'oficerëvet që e shoqëronin. Konferenca e Ambasadorëvet e njohu
përgjegjëse qeverinë e Athinës për organizimin e krimit dhe e detyroi të paguante
dëmshpërblimin. Njëhohësisht ndërhyri pranë Italisë që kjo t'a lëshonte ishullin e
Korfuzit. Pas këtyre ngjarjeve, armiqësia greke kundrejt Shqipërisë u bë m'e tërbuar
akoma, dhe këtë tërbim e shfrente kundërÇamërvet.

Ngatërresa dhe skena të mallëngjyershme nga ana e popullsisë shqiptare mbetur përtej
kufijvet ngjajtën edhe gjatë përcaktimit të kufirit shqiptaro-jugosllav. Komisioni
ndërkombëtar, bashkë me një përfaqësonjës të Shqipërisë, duhej të kalonte nëpër ato
vende, prej Struge në Prizrend, duke marrë mandej anën e veriut. Por ngado që
shkonte, popullsia shqiptare i delte përpara me lot për faqe dhe i lutej që ajo të
përfshihej brenda kufijvet të Shqipërisë. Manifestime u bënë sidomos në Dibrën e
Madhe, ku djalëria, duke kënduar këngë kombëtare, i kërkonte Komisionit bashkimin
me Shqipërinë. Çështja e kufijvet nuk u përfundua dot tërësisht as më 1923, sepse
Greqia nuk donte t'i lëshonte 14 fshatrat, dhe Jugosllavia, duke e interpretuar në dobi
të saj tekstin e Protokollit të Londrës, donte të mbante Vermoshin e Shën-Naumin. Më
në fund ia arriti qëllimit, se këta dy vende ia lëshoi Zogu më 1925. Kurse Greqia, e
shtrënguar prej Konferencës s'Ambasadorëvet, i njoftoi Këshillit të Lidhjes së
Kombevet, në vjeshtën e 1924-ës, se do t'i mbahej vendimit ndërkombëtar, dhe pas
pak kohe i liroi të 14 fshatrat.

Një tjetër dram i dhëmbshëm për Shqipërinë ishte çështja e popullsivet shqiptare
mbetur përtej kufijvet, në Jugosllavi dhe në Greqi. Lidhja e Kombevet ishte e zonja t'a
detyronte Shqipërinë që t'iu çelte shkolla në gjuhën e tyre dhe t'iu njihte të gjitha të
drejtat minoritare 33.000 Grekofonëve të prefekturës së Gjirokastrës, por nuk bëri
asgjë për të detyruar Jugosllavinë dhe Greqinë që t'iu njihnin të njëjtat të drejta
Shqiptarëvet, të cilët ishin dhjetra herë më shumë. Thirrjevet të shtetit shqiptar në
Lidhjen e Kombevet nuk ua vinte kush veshin, jo vetëm pse Shqipëria s'kishte
përkrahje të jashtëme, po edhe sepse, duke qënë në kryengritje të përhershme, askush
s'i jepte peshë.

Dy fqinjët, Jugosllavi e Greqi nuk kishin as nuk pranonin tjetër politikë kundrejt
popullsivet shqiptare veçse atë të çfarosjes. Prandaj nuk mungonin n'asnjë rast e nuk
kursenin asnjë mjet për t'ua bërë Shqiptarëvet jetën të pamundur, në mënyrë që këta të
braktisnin vatrat stërgjyshore e të largohëshin. Për t'a zbrazur Çamërinë prej
Shqiptarësh, Greqisë iu paraqit një rast i jashtëzakonshëm me nënshkrimin e traktatit
greko-turk të Lozanës, më 30 Jenar 1923, që parashikonte shkëmbimin e popullsivet
ndërmjet dy vendevet. Ndonëse Greqia ishte zotuar botërisht se nuk do të përfshinte
Shqiptarët myslimanë të Çamërisë në numrin e popullsisë turke që do të shkëmbehej
me Grekë të Turqisë, e shkeli fjalën si gjithnjë, dhe shpërnguli prej vatravet të tyre
përmbi 60.000 çamër, të cilët i dëboi si "Turq" në thellësitë e Anadollit.

Jugosllavia gjeti një tjetër mënyrë. Ndënë mbulesën e një t'ashtuquajture "reformë
agrare" u vu të bënte kolonizimin e Kosovës, duke sjellë aty Malazez, të cilëve iu
jepte jo vetëm pjesën më të mirë të tokavet që ua rrëmbente Shqiptarëvet, po edhe një
pjesë të banesës së këtyre. Me këto mjete dhe me anë përdhunimesh të
papërshkruarshme, detyroi me qindra mijë Kosovarë të lëshonin truallin e tyre dhe
t'emigronin në Turqi. S'iu njohu Shqiptarëvet kurrë një të drejtë, jo vetëm minoritare
por as njerëzore: çdo botim i kapur në gjuhën shqipe dënohej si një krim. Me anë
statistikash të rreme dhe duke e mbajtur shumicën e Shqiptarëvet për "myslimanë" ose
"Turq", Jugosllavia e tregonte zyrtarisht dhe vazhdimisht 400.000 numrin e tyre, kurse
Gazeta Zyrtare e Lidhjes së Kombevet, në Shtator 1921, vërtetonte se kishte një
milion Shqiptarë në Jugosllavi.

Për t'iu shpëtuar ndjekjevet të pamëshirëshme, një pjesë Kosovarësh qenë arratisur në
Shqipëri, ku vuanin e vdisnin nga uria, se shteti shqiptar s'kish me se t'i mbante.
Gjithsaherë që Jugosllavia i kërcënohej Shqipërisë, lëshonte nga një valë tmerri mbi
Kosovarët duke bërë me qindra viktima. Prej vitit 1913 e këtej, hemoragjia e Kosovës
ka qënë një plagë që s'është mbyllur kurrë.

Një tjetër vështirësi për shtetin shqiptar, jo m'e vogël nga trubullimet e brendëshme
dhe nga ndërhyrjet e fqinjëvet, ishte gjendja ekonomike e vendit. Kemi folur më sipër
se Shqipëria kishte dalë prej sundimit otoman me një strukturë ekonomike krejt
primitive dhe s'kishte asgjë të ndërtuar në kuptim të teknikës moderne. Toka punohej
me mjetet e vjetra dhe s'nxirej dot prej saj as për të plotësuar nevojat ushqimore të
vendit. Jo vetëm bujqit që s'dinin se ç'ishte teknika moderne, por as çifligarët pasanikë
nuk interesohëshin për t'i mirësuar pronat e tyre me anën e mjetevet të reja. Ata ishin
mësuar me përfitimin që nxirnin vetëm nga krahët e bujkut dhe nuk shtyhëshin më
tutje. Prandaj shteti shqiptar, përveç artikujve të tjerë, duhej t'importonte nga jashtë
edhe drithë në sasira të mëdha, gjë që e përmbyste balancën tregëtare me botën e
jashtëme në dëm t'ekonomisë së vendit.

Industri nuk kishte pothuajse fare, dhe kjo, për t'u zhvilluar, gjente vështirësi të
shumëllojshme. E para, nuk kishte as institute kredie, as bankë e monedhë kombëtare;
e dyta, Shqiptarët pasanikë nuk ishin mësuar me shoqërira aksionesh, nuk kishin
besim në qëndruarshmërinë e gjendjes së brendëshme, dhe iu pëlqente t'i mbanin "në
qyp" ose t'i lëshonin me fajde të hollat e fituara me anë shfrytëzimesh të ndryshme.
Mandej mungesa e rrugëvet, e uravet, e mjetevet të transportit, e bënte shumë të
vështirë zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, ndërmjet vjetëvet 1922-1923 u
hapën në Shkodër e në Korçë nga një fabrikë duhani, dhe u formua në Durrës një
shoqëri anonime e punimit të duhanit, e quajtur "Samas", më vonë "Stamles", e cila
ishte e para që ngrihej në formë aksionesh me kapitale shqiptare. Nga të tjerat, përveç
mullinjve të vajit të ndodhur që më parë, u ngrit ndonjë fabrikë mielli e makaronash,
ndonjë fabrikë sapuni, ndonjë sharrë për të prerë e punuar drurin, si edhe ndonjë
ndërmarrje e vogël për regjien e lëkuravet dhe përpunimin e kufizuar të disa
prodhimeve bujqësore e blegtorale. Vlen të shënohen kriporet e Vlorës dhe të
Durrësit, të cilat ishin prej shumë kohësh më parë, dhe nxirej prej tyre mjaft kripë sa
për të plotësuar pothuajse nevojat e vendit.

Si pasuri të nëntokës, shfrytëzohej që në kohën e Turqisë prej një shoqërie frënge, e


pastaj prej një tjetre italiane, sera e Selenicës. Mendohej të kishte shtresa të pasura
vajgurore, përveç mineralesh të tjera. Për të marrë të drejtën e kërkimevet dhe
konçesionin e shfrytëzimit të vajgurit të Shqipërisë, dy shoqëri të mëdha u gjendën
kundra njëra-tjetrës, Anglo-Persiania dhe Shoqëria amerikane Standard Oil, të cilat u
hëngrën në mest tyre për një punë që s'e vlente mundimin. Anglo-Persiania ishte vënë
në lëvizje e para dhe, më 1923, kishte ardhur pothuajse në marrëveshje me qeverinë e
Zogut për të marrë të drejtën e kërkimevet dhe konçesionin e shfrytëzimit. Anglia kish
nja dy-tre vjet që interesohej për Shqipërinë, ndoshta nga shkaku i vajgurit, dhe Zogu
desh t'afrohej sa më shumë me Anglezët. Prandaj qeveria e tij i pranoi, në parim,
kushtet e Shoqërisë Anglo-Persiane, dhe projektin e marrëveshjes ia paraqiti
parlamentit për miratim, më 23 Shtator 1923. Por n'atë kohë kishte ndërhyrë
energjikisht Shoqëria amerikane Standard Oil, e cila propozonte edhe ngritjen e një
rafinerie. Opozita parlamentare ishte për Shoqërinë amerikane. Natyrisht, porsa që
shteti shqiptar nuk kishte kapitale as mjete teknike për t'i shfrytëzuar vetë pasuritë e
nëntokës, duhej t'i jepte konçesionet e tyre në kushte sa më të mira. Por në rastin e
shoqërivet angleze e amerikane hynin edhe faktorë politikë. Prandaj çështja pati një
rrahje të nxehtë në parlament dhe s'u përfundua dot, mbasi ky do të shpërndahej në
mbarim të muajit për t'ua lënë vendin zgjedhjevet t'Asamblesë Kushtetonjëse. Kështu
ajo çështje mbeti për t'u shikuar prej kësaj. Po kur shoqëritë e mëdha Anglo-Persiane
dhe Standard Oil diktuan më vonë se shtresat vajgurore të Shqipërisë nuk ishin aq të
pasura sa mendohej, s'u interesuan më, dhe konçesionin e muarën më në fund
Italianët.

Gjatë vitit 1923, qeveria e Ahmet Zogut i dha në konçesion disa çifliqe të shtetit
shoqërisë italiane "Adriatiko" dhe nja 100 hektarë të tjerë të çiflikut Rreth një shoqërie
zvicerane; po n'atë kohë, shoqëria gjermane "Inag" mori shfrytëzimin e pyllit ndërmjet
Ishëm e Bregu-i-Matit.

Por shteti shqiptar, për t'a nxjerrë vendin nga ajo gjendje e prapambetur, kishte nevojë
për ndihma të mëdha financiare e teknike, të cilat s'mund të plotësohëshin kurrsesi me
burimet e brendëshme. T'ardhurat mezi mjaftonin për të mbajtur buxhetin vjetor të
shtetit, i cili ishte më pak se 20 milionë franga ari. Në vjetët e parë kjo shumë
mblidhej rregullisht, sepse në Shqipëri kishte mbetur mjaft ar prej ushtërivet
evropiane në kohën e Luftës, malli shkonte mirë, dhe fshatarësia ishte disi në gjendje
të paguante; mandej t'ardhurat doganore ishin një burim mjaft i rëndësishëm, mbasi
populli ishte në gjendje të blinte. Këto kushte e ndihmuan shtetin shqiptar të
kapërcente vështirësitë e para, të mëkëmbte administratën, të shtronte kryengritjet. Por
mbasi Shqipëria n'atë kohë importonte dhjetë herë më shumë se sa eksportonte, i tërë
ai ar dolli ca nga ca përjashta për të paguar deficitin e shkëmbimevet, dhe kriza
ekonomike filloi të ndihej shumë shpejt.

Sido që t'ish, me mjetet e brendëshme Shqipëria nuk mund të dilte dot nga ajo gjendje
mesjetare ku e kishte lënë sundimi otoman. Prandaj u përpoq të merrte një hua të
jashtëme nëpërmjet të Lidhjes së Kombevet prej kapitalesh t'ardhur nga shtete të
paanshëm, që s'mund t'ushtronin ndikim politik mbi Shqipërinë. Flitej se disa banka të
mëdha zvicërane dhe belge mund t'i jepnin Shqipërisë një hua në kondita mjaft të
favorshme, po të garantohëshin nga Lidhja e Kombevet. Kjo e fundit kish dërguar në
Shqipëri, më 1922, ekonomistin Albert Calmes për të shikuar gjendjen ekonomike e
financiare të vendit dhe për të dhënë një mendim se cilat ishin mundësitë e zhvillimit
të tij. Por kryengritjet e pareshtura njëra pas tjetrës nuk jepnin besim në shtetin
shqiptar, përjashta, dhe bankierët nisën të ngurronin. Ndoshta edhe ndërhyrjet e para
të shoqërivet Anglo-Persiane dhe Standard Oil iu prenë rrugën kapitalevet që mund të
vinin prej shtetesh më të vegjël. Por qenë sidomos ngjarjet e brendëshme ato që s'linin
shtek për një politikë ndërtimi, as siguri për një kredi të jashtëme.

Krahas me prapambetësinë ekonomike qëndronte prapambetësia kulturore. Populli,


lart nga tetëdhjetë për qind, ishte analfabet, domethënë s'dinte shkrim e këndim.
Shkollat nuk ishin të mjaftuarshme sepse mungonin mësuesit, mungonin lokalet,
mungonin orenditë dhe sendet e mësimit, mungonin librat, mungonte gjithëçka.
Nganjëherë ndërtesat shkollore ishin ca shtëpi të vjetëra pa dyer e dritore, ku të gjorët
nxënës dridhëshin prej të ftohtit. Megjithatë, dëshira e mësimit ishte e nxehtë,
sidomos në Shqipërinë e jugës, ku jo vetëm qytetarët po edhe fshatarët s'kursehëshin
për shkollat, kërkonin prej qeverisë hapjen e tyre, dhe dërgonin të gjithë fëmijët, djem
e vajza. Por shteti s'kish mundur të hapte deri atëhere veçse nja 550 shkolla fillore, nja
50 plotore, nja tri a katër të mesme, si normalja e Elbasanit, liceu frëng i Korçës,
gjimnazi i Shkodrës, dhe shkolla teknike e Tiranës që u çel dhe mbahej nga Kryqi i
Kuq amerikan. Për të pregatitur profesorë, inxhenjerë, mjekë, agronomë, gjyqtarë etj.,
shteti pat dërguar mjaft djelmosha me bursa studimi nëpër shkollat e larta t'Evropës.

Një kujdes të veçantë tregonin n'atë kohë arësimtarët e vjetër për spastërimin e gjuhës
dhe zëvendësimin e fjalëvet të huaja me tingujt e ëmbël të shqipes. Edhe skajet
shkencore filluan t'i nxirnin - dhe delnin fort bukur - prej gjuhës amtare, rrënjët e së
cilës, aq të lashta sa histori e njerëzisë, prisnin prej katër mijë vjetësh prendverën e
lulëzimit. Ato pak libra shkollore që ishin pregatitur n'atë kohë - ca libra të thjeshta
këndimi dhe mësimi - shquhëshin nga pastërtia e gjuhës, nga fuqia e shprehjes, nga
rrjedhja e natyrëshme e fjalivet ashtu siç vinë vetvetiu në shqipen. Një përpjekje të
mirë në këtë drejtim pati bërë Komisioni Letrar, që u formua në Shkodër me
përkrahjen e Austrisë, në kohën e Luftës. Mjerisht, më vonë, nuk u ndoq ky rregull.
Prej ftohjes së ndjenjavet kombëtare, ose prej ndikimit të gjuhëvet të huaja ngaha
merrnin mësimet studentët shqiptarë - ndoshta edhe pse brezi i ri nuk ishte në lartësinë
e atij më të vjetrit - gjuha shqipe erdhi duke u prishur prapë; vendin
e orientalizmavet të dikurshme e zunëbarbarizmat e futura prej gjuhëvet të
Perëndimit, dhe ligjërata e bukur e saj erdh e u bë si një gjuhë skele ndërkombëtare.
T'ashtuquajturit shkollarë i përftojnë mendimet e varfëra të tyre në kallëpin e gjuhëve
të huaja dhe i derdhin në një shqipe lesh-e-li që s'përputhet gjëkundi me të folmen e
vërtetë të saj.

Për t'iu gjetur zgidhje gjithë këtyre problemeve, ose më mirë, për t'i vënë në një rrugë
zgidhjeje, nuk mungonin mendimet theorike t'opozitës dhe të një pjese të djalërisë
shkollare. Por mungonin mjetet dhe m'e keqja ishte se, midis mendimeve të këtyre dhe
mendësisë së popullit, kishte një ndryshim shumë të madh. Opozita kërkonte reformën
agrare, lirinë e organizimevet, spastërimin e administratës, zhvillimin e arësimit, të
shërbimevet mjekësore, ndërtimin e rrugëvet etj., por nuk kishte një program praktik
sesi mund t'iu arrihej këtyre qëllimeve, dhe ajo vetë përbëhej prej elementesh të
ndryshëm që kundërshtonin njëri-tjetrin. Sa për djalërinë shkollore, e cila n'atë kohë
udhëhiqej prej Avni Rustemit, ajo përsëriste gjithë ç'dëgjonte nga zhurmat e lëvizjevet
socialiste evropiane, pa u menduar edhe aq thellë se ç'mund të bëhej dhe ç'nuk mund
të bëhej në Shqipërinë e atëhershme. Më 1921, Avni Rustemi ish përpjekur t'i
bashkonte shoqëritë e mëparshme në një organizatë të përgjithshme, e quajtur
Federata "Atdheu". Më vonë themeloi shoqërinë "Bashkimi", me qendrën në Tiranë, e
cila u përpoq të hapte degë në mjaft qytete, dhe lozi një rol të rëndësishëm në ngjarjet
e vitit 1924. Ishte e para herë që djalëria shqiptare hidhej në jetën politike të vendit në
një mënyrë t'organizuar.

Mbasi kundërshtimi ndërmjet qeverisë dhe opozitës po vinte duke u acaruar, u pa e


nevojëshme të bëhëshin zgjedhjet për Asamblenë Kushtetonjëse. Në Gusht 1923,
Këshilli i Lartë thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentit për t'i
parashtruar projektligjin e zgjedhjevet që kish pregatitur qeveria. Një luftë e ashpër u
bë rreth projektit qeveritar, sepse opozita kërkonte zgjedhje më demokratike.
Megjithëse edhe kjo e mbante parimin e zgjedhjevet në dy shkallë (domethënë me anë
zgjedhësash të dytë), donte që pjesëmarrja e popullit t'ishte m'e gjerë, që çdo numër
100 vetash, dhe jo 500, të nxirte një zgjedhës të dytë, dhe të delte një deputet për çdo
8.000 frymë. Këto dhe disa propozime të tjera t'opozitës u rrahën nxehtësisht, por më
në fund u gjend një rrugë e mesme, zgjedhjet u caktuan për në muajin e Dhjetorit dhe
parlamenti u shpërnda më 30 Shtator 1923.

Kuptohet se fushata e zgjedhjevet qe fort e nxehtë. U krijuan lloj lloj grupesh me emra
demagogjikë të ndryshëm. Shoqëria Bashkimi bëri zhurmë sa mundi. Por ana e
çifligarëvet dhe e konservatorëvet prapanikë ishte gjithmonë m'e forta, mbasi n'atë
kohë lidhjet ishin personale, "zgjedhjet" bëhëshin nëpërmjet zgjedhësash të dytë, të
cilët ishin zakonisht nga parësia e krahinave dhe shkonin si gjithmonë pas bejlerëvet
dhe pasanikëvet. Nëse "opozita" mund të kishte një numër deputetësh, këtë nuk ua
detyronte edhe aq "idevet përparimtare", as zhurmës që bënte Shoqëria Bashkimi, por
sepse në gji të saj ndodhëshin mjaft bejlerë e njerëz me emër, të cilët tërhiqnin votat e
zgjedhësavet të dytë për të njëjtat arësye. Mirëpo këta nuk kishin asnjë dëshirë të
vërtetë për ndryshime të mëdha, e sidomos për reformën agrare, se ishin vetë pronarë,
dhe ato parulla i pranonin vetëm si një demagogji për të gjetur pështetje në rrymat e
reja kundër klikës s'Ahmet Zogut, të cilën e luftonin për rivalitet pozitash dhe jo për
mospajtim parimesh. Prandaj, sikur të vinin në fuqi, do të tregohëshin edhe këta
pengonjës të reformavet aq sa të tjerët, por me ndryshim se, ndërsa të tjerët kishin në
krye një njeri të fortë si Zogun, këta s'ishin veçse një grumbullim i rastit, demagogë
fjalë-mëdhenj, që s'kalonin dot prej fjalëvet në vepra. S'ishin të zotët as të mbahëshin
në fuqi, sepse nuk formonin dot midis tyre një hierarki të disiplinuar.

Ndërkaq, Zogu kishte lozur të gjithë gurët për të forcuar pozitat e tija brenda dhe
jashtë shtetit. Përbrenda, kish lidhur rreth vehtes klasën e bejlerëvet të mëdhenj dhe
një pjesë krerësh të veriut, përveç një numri burokratësh, oficerësh, karrieristësh e
aventurierësh të çdo kallëpi. Për të siguruar një mbështetje të fortë në Shqipërinë e
Mesme, ishte mbluar me të bijën e Shefqet Vërlacit, m'i pasuri dhe m'i fuqishmi i
bejlerëvet të Shqipërisë. Kurse jashtë shtetit, sidomos pranë Anglezëvet, Ahmet Zogu
kish dashur të jepte përshtypjen se vetëm ai ishte i zoti të mbante qetësinë në Shqipëri.
Ishte tepër shqetësonjës afrimi i tij me Jugosllavët. Ahmet Zogu e kish kuptuar se prej
shtetevet fqinjë, Jugosllavia ishte ajo që praktikisht mund të lozte rolin më të madh në
punët e brendëshme të Shqipërisë. Prandaj kish nisur t'afrohej shumë me të, sidomos
qëkur erdhi në kundërshtim të hapët me irredentistët kosovarë, Bajram Currin dhe
Hasan Prishtinën. I shtronte dreka e darka ministrit të Jugosllavisë në Tiranë , nuk
donte që shtypi të merrej me çështjen e Kosovës, shenja këto që hidhnin shqetësim në
qarqet e atdhetarëvet.

Zgjedhjet u bënë në Dhjetor 1923 dhe, sikurse mund të parashikohej, grupi qeveritar
me Ahmet Zogun në krye fitoi shumicën e vendevet. Shkaku ishte ai që treguam më
sipër, se zgjedhësat e dytë anonin përgjithësisht nga konservatorët dhe bejlerët e
mëdhenj. Për n'Asamblenë Kushtetonjëse u zgjodhën gjithësejt nja 95 deputetë, të
cilët ndahëshin në tre grupe: ai i konservatorëvet që përkrahte qeverinë; ai i opozitës
ose i "radikalëvet" me Fan Nolin si kryetar; dhe midis tyre një grup i tretë gjoja "i
pavarur" por që mbante anën e partisë qeveritare. Kështu opozita ndodhej në pakicë
kundrejt dy grupevet të tjerë të cilët, kur lidhëshin bashkë, përbënin një shumicë të
rëndësishme, pothuajse dy me një, përballë grupit të "radikalëvet".

Pra ishte fort e vështirë që punët e brendëshme të Shqipërisë të rregullohëshin nëpër


rrugë parlamentare. Trubullimet vazhduan edhe pas zgjedhjevet. Ahmet Zogu nuk
desh të jepte dorëheqjen nga kryesia e qeverisë. Por mbasi edhe grupi i deputetëvet të
tij, ndonëse pak m'i madh se ai i opozitës, nuk mund të formonte shumicën n'Asamble
pa u bashkuar me pjesën e t'ashtuquajturvet të "pavarur", Ahmet Zogu detyrohej t'iu
bënte këtyre disa lëshime.

Grupi i-opozitës kishte nja 35 deputetë, të cilët, ndonëse nuk paraqitëshin me një
program të përcaktuar mirë, kërkonin, në vija të përgjithshme, reformën agrare dhe
zhdukjen e mbeturivet të feudalizmit, spastërimin e administratës nga elementi i
prapambetur, liri të plota demokratike, zhvillime e ndërtime të çdo lloji, shkurt, të
gjitha sa mund të thuhen nëpër fjalime. Nga shkollarët më të shquar të këtij grupi ishin
Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau etj., dhe bazat e fuqisë ky i kishte sidomos
në Shqipërinë e jugës ku disa nga antarët e tij, si Qazim Koculi e Ali Këlcyra, gëzonin
mjaft simpathi në popull; po ashtu Fan Noli e Stavro Vinjau. Prej veriut, kishte një
pjesë të deputetëvet të Shkodrës, irredentistët kosovarë dhe disa nga kundërshtarët e
Zogut, por këta jo të gjithë për qëllime reformash.

Kur u pa se zgjedhjet nuk dhanë përfundim të mirë dhe se Zogu nuk mund të
mënjanohej në mënyrë demokratike, disa nga kundërshtarët e tij menduan t'a
zhduknin me anën e një atentati, por s'ia arritën dot qëllimit. Ndonëse Zogu, i plagosur
lehtë, tregoi gjakftohtësi n'atë rast, kjo ngjarje e ashpërsoi shumë gjendjen. Një qeveri
e re u formua nën kryesinë-e Shefqet Vërlacit, ku hynin edhe të tjerë bejlerë bë
mëdhenj, por këto ndryshime të përcipta s'kishin asnjë rëndësi, sepse Zogu mbetej
gjithmonë njeriu m'i fortë i atij rrethi. Mandej Shefqet Vërlaci, që s'kishte marrë pjesë
kurrë në lëvizjen kombëtare, s'mund të përfaqësonte veçse klasën e çifligarëvet
robëronjës të Shqipërisë. Prandaj gjendja nuk u zbut as kur, më vonë, u futën në
qeveri edhe disa ministra prej opozitës.

Gjatë kësaj kohe, Zogu s'pushoi së vepëruari dhe së forcuari tarafin e tij, duke
përdorur çfarëdo lloj mjeti. Flitej se krimi i shëmtuar i Mamurasit, ku u vranë dy
nënshtetas amerikanë që udhëtonin për në Shkodër, ishte i shtytur prej tij, me qëllim
që t'i tregonte botës së jashtëme se s'mund të kishte qetësi as rregull në Shqipëri po të
mos ishte ai në fuqi.

Por ngjarja që shkaktoi tronditjen më të madhe e që e përmbysi atë gjendje ishte


vrasja e Avni Rustemit, i cili plagosur rëndë në një rrugë të Tiranës, më 20 Prill 1924,
dhe vdiq pas ditësh. Mbasi punët kishin rrjedhur ashtu si i dimë, dhe gjindarmëria nuk
tregoi asnjë zell për të kapur vrasësin, s'mbetej pikë dyshimi se shtytësi i vrasjes ishte
Zogu. Gjakrat u nxehën tepër, manifestime të mëdha u bënë në Tiranë dhe pothuajse
në të gjitha qytetet e Shqipërisë, sepse Avni Rustemi shikohej si një hero. Me anë
mbledhjesh, fjalimesh dhe telegramesh protestimi u çfaq urrejtja kundër qeverisë dhe
veçanërisht kundër Zogut. Opozita parlamentare caktoi që Avni Rustemi të varrosej
në Vlorë, ku shkuan përfaqësonjës dhe u dërguan kurora nga e tërë Shqipëria.
Varrimi, që u bë më 1 Maj e ku merrnin pjesë me mijëra veta, u shndërrua në një
manifestim kombëtar dhe kryengritës. Në Shqipërinë e jugës, Vlora dhe ndonjë qytet
tjetër nuk po i bindëshin më qeverisë së Tiranës, në veri u shtuan trubullimet, por në të
vërteten nuk pat një kryengritje popullore ashtu si është menduar gjer më sot nga
"marksistët" dhe demokratët e kafenevet.

E ashtuquajtura "Kryengritje e Qërshorit" ishte si një lloj grusht-shteti që u bë kundër


qeverisë nga dy regjimente ushtarakë. Vrasja e Avni Rustemit shkaktoi tronditje kudo
dhe manifestimet e Vlorës e nxehën mjaft atmosferën, aq sa aparati i shtetit u
paralizua në disa qytete. Por një kryengritje me armë nga ana e popullit nuk pati,
përveç ndonjë grupthi të djemurisë së "Bashkimit" dhe lëvizjes së përhershme të
Bajram Currit në rrethin e Tropojës e të Krumës. Djalëria e Vlorës, me anën e një
pritjeje të bujëshme dhe duke e quajtur "Mustafa Qemal" të Shqipërisë, mundi t'i
frynte mendjen kumandarit të garnizonit ushtarak të Përmetit, nënkolonel Kasëm
Qafëzezit, një pijanec që s'merrte vesh se ç'bëhej, gjersa e bindi të ngrihej me
regjimentin e tij kundër qeverisë së Tiranës. N'ato ditë ishte shpallur kundër qeverisë
edhe kumandari i regjimentit të Shkodrës, nënkolonel Rexhep Shala. Dy nënkolonelat
me regjimentet e tyre u bënë boshti i "kryengritjes", rreth të cilit u mblodhën fuqitë e
Bajram Gurrit dhe ndonjë grup i vogël vullnetarësh. Qeveria u zu në befasi dhe
s'mundi të bënte qëndresë, mbasi u sulmua nga veriu e nga juga. Disa merçenarë që
dërgoi në Berat, u thyen brenda dy ditësh prej fuqivet ushtarake të Përmetit dhe
vullnetarëvet të Skraparit që i kumandonte kapiten Riza Cerova. Pasi qeveria s'bëri
dot qëndresë as në veri dhe aparati i saj u çthur, Ahmet Zogu me një pjesë të rrethit të
tij dhe me nja 500 merçenare u arratis në Jugosllavi, ndërsa krerët e tjerë të partisë
qeveritare u hodhën n'Itali ose kaluan në Greqi. Fuqitë kryengritëse, domethënë dy
regjimentet dhe një turmë e mbledhur rreth tyre, hynë në Tiranë më 10 Qërshor 1924.

Çdo gjë që fitohet lehtë, nuk ka shumë vleftë as rëndësi. Kjo u vërtetua edhe me
"Kryengritjen e Qërshorit". Një qeveri u formua në Tiranë nën kryesinë e Fan Nolit,
me dy nënkolonelat si ministra, njëri i Luftës, tjetri i Punëve të Brendëshme, Sulejman
Delvina, i Punëve të Jashtëme, Luigj Gurakuqi, i Financavet, Stavro Vinjau, i
Drejtësisë dhe i Arësimit, Qazim Koculi, i Punëvet Botore dhe i Bujqësisë.

Përveç dy nënkolonelavet që bënin provën e parë në jetën politike dhe Stavro Vinjaut
që ishte djalë i ri, katër të tjerët ishin të njohur si atdhetarë të vlefshëm dhe njerës që
kishin mbajtur mbi shpatulla përgjegjësi të rënda kombëtare në të kaluarën. Prandaj
një qeveri e bërë prej tyre u prit mirë dhe gëzoi të gjithë ata që donin t'a shihnin
Shqipërinë të përparuar e të lumtur. Fan Noli, për shërbimet që i kishte sjellë deri
atëhere atdheut, e meritonte vendin që zuri. Të qenët e tij në krye të qeverisë, dhe
ndoshta më vonë në krye të shtetit, ishte një rast shumë i mirë për t'a nxjerrë një pjesë
t'Orthodoksvet nga ftohja shekullore kundrejt Shqipërisë dhe për t'a bërë që të hidhej
më me besim në veprimtarinë kombëtare.

Por mjerisht, këto shpresa mbetën të thata dhe s'kish sesi të përmbushëshin.
Kryengritja e Qërshorit kishte qënë një ndërrim i përciptë i qeverisë, që s'kishte
ndërruar asgjë në strukturën dhe në kuadrot drejtonjëse të shoqërisë shqiptare. Populli
shkonte gjithmonë pas krerëvet që kish pasur deri atëhere, të cilët kishin mbetur me të
njëjtën mendësi dhe mbanin të njëjtat lidhje me klasën sundonjëse të mëparshme.
Reformën agrare e kuptonin dhe e kërkonin disa shkollarë, por jo fshatarësia për të
cilën duhej të bëhej. Mandej kuadrat e administratës së shtetit (të larta e t'unjëta) dhe
të forcavet t'armatosura mbetëshin ato që ishin, dhe s'mund të pritej spastërimi i tyre
prej dy nënkolonelavet, të cilët ishin edhe vetë prej asaj balte. Sa për shkollarët, ata po
e shihnin tani se në disa punë që lidhen me strukturën ekonomike e shoqërore të një
vendi, është shumë më kollaj të flitet se sa të veprohet. Dhe ata kishin folur aq shumë
për reforma, sa që s'dinin se nga t'a kapnin fillin e tyre tani që ndodhëshin në fuqi,
prandaj mbetën pa bërë asgjë.

E vërteta ish se "reformatorët" kishin ardhur në fuqi si ca fletë të këputura që i sjell


vala, dhe s'kishin se me çfarë force t'i ndërronin kuadrat drejtonjëse të shtetit dhe të
shoqërisë, as me se t'i zëvendësonin. Sepse iu mungonin kuadrat e reja, iu mungonin
mjetet, kapitalet... Natyrisht, këto pengesa nuk ishin të pakapërcyershme sikur Fan
Noli ose Kasëm Qafëzezi të kishin qënë "Mustafa Qemali" i Shqipërisë. Por mbasi
Mustafa Qemalët nuk lindin më çdo qoshe rruge, kishte fort të ngjarë që "Kryngritja e
Qërshorit" të kalonte si një aventurë dhe punët të këthehëshin përsëri në gjendjen e
mëparshme. Sa për djalërinë e Shoqërisë "Bashkimi", ajo bëri mjaft zhurmë nëpër
qytetet, tregoi sjellje rrugaçësh në disa raste duke iu dhënë vaj ricine ca
kundërshtarëve, por nuk shkoi më tutje. Mbasi nëntëdhjetë për qind të popullsisë e
përbënin fshatarë e malësorë, ku djalëria e qytëtevet nuk kishte asnjë hyrje, merret me
mend se roli i kësaj ishte fort i kufizuar, dhe bërtimat e saja s'e tronditnin dot aq thellë
strukturën e brendëshme shqiptare.

M'e keqja ishte se "Kryengritja e Qërshorit" dhe qeveria që dolli prej saj nuk kishin
njeri në krye; Fan Noli ishte si një "figurë nderi", i cili as ishte i zoti të kumandonte,
as kishte fuqi sunduese. Në qeverinë e tij gjithkush bënte pas kokës së vet. Shumë nga
ata që kishin thirrur për reformat, në të vërtetën nuk i donin, sepse këto preknin
interesat e tyre, dhe i tërë aparati i shtetit përbëhej prej elementesh që kundërshtonin
njëri-tjetrin. Fan Noli vetë kishte një kompleks psikik nga ata që janë të dënuar të
dështojnë gjithmonë kur është punë vepërimi; sepse nuk janë të zotët që të vendosin
kur duhet dhe siç duhet, ose bëjnë gjithnjë të kundërtën e asaj që duhet bërë.
Pazotësinë e marrjes së një vendimi e tregoi në punët e brendëshme, dhe prirjen
nevrotike për të bërë të kundërtën e asaj që duhej bërë e tregoi në politikën e jashtëme.
Ky "flamurtar" i reformavet, mbasi s'kishte as dinte se ç'të bënte në krye të qeverisë e
shkonte kohën duke përkëthyer Omar-Khajamin ose duke mësuar t'i binte fyellit! Më
në fund, kur dështoi me të gjitha, përqafoi komunizmin, për t'i sjellë Shqipërisë ato që
ky regjim i pruri më pastaj.

Pak ditë pasi u formua, qeveria e re shpalli, më l9 Qërshor, programin e saj prej 20
pikash, ku premtohëshin në vija të përgjithshme përmirësimet dhe reformat që ishin
folur deri atëhere dhe që nuk u vunë kurrë në zbatim. As kish sesi të zbatohëshin, kur
qeveria nuk e sundonte dot gjendjen, kur në gji të saj filluan menjëherë kundërshtimet,
sepse të shumtët e atyre që erdhën në fuqi s'kishin pasur asnjë qëllim reformash. Vetë
Sulejman Delvina u përgjigj se reformat që kërkonin të rinjtë ishin "gjepura". Qeveria
nuk shpalli dot as zgjedhje të reja për të "legalizuar" të paktën vehten e saj. S'kish
guxim t'i shpallte, sepse nuk besonte në përfundimin e mirë të tyre.

Mbasi nuk kish se ç'të bënte në Shqipëri, Fan Noli u nis me ministrin e Financavet,
Luigj Gurakuqin, për në Lidhjen e Kombevet, me qëllim që të kërkonte ndonjë hua
ndërkombëtare nën garantinë e Lidhjes. Me atë rast desh të kërkonte edhe
përfundimin e çështjes së kufijvet (mbasi Greqia mbante akoma 14 fshatrat e qarkut të
Korçës dhe Jugosllavia Vermoshin e Shën-Naumin) dhe të ndalonte shpërguljen e
Shqiptarëvet myslimanë të Çamërisë, të cilët Greqia po i përfshinte si "Turq" në
shkëmbimin e popullsivet.

Disa vjet më parë, Fan Noli kishte bërë përshtypje shumë të mirë në Lidhjen e
Kombevet duke mprojtur çështjen shqiptare me zotësi dhe urtësi. Këtë radhë nuk u
prit edhe aq mirë, jo vetëm sepse Lidhja e Kombevet s'e merrte me gjithë mend
shtetin shqiptar, ku s'pushonin kurrë kryengritjet, po dhe vetë Fan Noli shikohej si
kryetari i një qeverie të pa "legalizuar".

Atëhere Peshkopi i ynë hipi në tribunë, nga mbarimi i Shtatorit, dhe ia numëroi të
gjitha Lidhjes së Kombevet se ç'ishte e tek ishte, sesi e përdornin fuqitë e mëdha për
interesat e tyre nën një mbulesë fjalësh hipokrite, sesi punët e saja ishin flluska sapuni,
sesi ajo ishte zhytur në një burokraci të mërzitshme, me komisione e nënkomisione,
dosjet e të cilëve flinin nëpër sirtarët ku i mbulonin cergat e merimangavet, dhe tregoi
se demokracia s'ishte veçse një mashtrim për popujt dhe zgjedhjet e lira, një komedi.
Natyrisht, të gjitha këto mund t'ishin të vërteta - dhe s'ishte Fan Noli ai që i zbulonte
për të parën herë - por këtë lloj të vërtete mund t'a thoshte një shkrimtar ose një
filozof, dhe jo një kryetar qeverie që kishte vajtur për të kërkuar ndihmën e Lidhjes së
Kombevet. Fan Noli, si mendimtar, duhej t'a kuptonte që, nëse punët e popujvet
shkonin ashtu si i tregoi ai, kjo do të thotë se ashtu është edhe natyra e lidhjevet
njerëzore, të cilën nuk do t'a ndryshonte fjalimi i tij. Pastaj Lidhja e Kombevet diçka
kishte bërë për Shqipërinë në dy-tre vjetët e parë, dhe Shqipëria, e shtrënguar prej
fqinjëvet s'kish se ku të gjente një tjetër strehë përveç asaj. Jugosllavia u tërhoq prej
Shqipërie më 1921, sepse e kërcënoi Anglia nëpërmjet të Lidhjes së Kombevet. Por
çdo të bëhej tani që Zogu ndodhej në Jugosllavi duke pregatitur me Pashiçin grushtin
që do t'i jepte qeverisë së "reformatorit"?

Fjalimi i Nolit, i cili ishte edhe i bukur nga ana letrare, u botua me bujë prej shtypit
t'atyre shteteve që ishin kundër Lidhjes së Kombevet, si Rusia bolshevike, Gjermania
etj., por u përbuz prej qarqevet frënge e angleze; dhe ishin këto dy fuqi që
mbizotëronin atëhere n'Evropë dhe në botën e Mesdheut.

Prej këtij akti të parë, Fan Noli kaloi shpejt n'aktin e dytë të dramit të tij heroikomik:
lidhi marrëdhënie diplomatike me Rusinë komuniste. N'atë kohë, Rusia sovietike nuk
kishte pozitën ndërkombëtare që ka sot, ku shumë shtete jo-komunistë, sidomos
t'Azisë dhe t'Afrikës, duan të përfitojnë prej lidhjevet me të, qoftë për të marrë ndihma
lëndore e teknike, qoftë për t'iu qëndruar ndërhyrjevet të Perëndimit. N'atë kohë
bolshevizmi shikohej si një murtajë, dhe fuqitë perëndimore donin t'a mbanin larg
Evropës, larg Ballkanit dhe Mesdheut. Anglia, Franca, Italia, Austria, Suedia dhe
Norvegjia e njohën Bashkimin Sovietik vetëm më 1924, kurse shtetet e Ballkanit
s'kishin akoma asnjë lidhje me të. Merret me mend nëse këto fuqi do të lejonin që
Shqipëria të bëhej një vatër e bolshevizmit në Mesdhe, për të kënaqur fantazinë e Fan
Nolit! Në këto vepërime Hirësia e tij u tregua si i frymëzuar prej Don Kishotit, kurse
mund t'i kish vlejtur më shumë urtësia e Sanço Pançës. Njeriu me të cilin u këshillua
Fan Noli për të lidhur marrëdhënie me Bolshevikët ishte Kostandin Boshnjaku, një
aventurier prej Durrësi, që kish qënë më parë tregëtar n'Odesa dhe, pas revolucionit
komunist, ish kthyer në Shqipëri si agjent i Rusisë. Kështu, në një ditë të Dhjetorit,
misioni diplomatik rus, i përbërë prej 18 vetash, zbriti në Durrës. Por me ndërhyrjen e
rreptë t'Anglisë, qeveria shqiptare u detyrua t'a përzinte pas dy ditësh. Sa keq për një
qeveri që s'e kish parashikuar dot këtë gjë!

Siç shihet, aventurat e Fan Nolit e shpejtuan përmbysjen e "regjimit të Qërshorit", i


cili do t'ishte shpartalluar sigurisht edhe pa ato. Por pas atyre ngjarjeve, Anglia e
shtyti Jugosllavinë, si edhe Greqinë, që të përkrahnin këthimin e Zogut në Shqipëri.
Nga ana tjetër, frika e bolshevizmit dhe e aventuravet ndërkombëtare i trembi shokët e
Nolit, të cilët filluan të ndahëshin rremba rremba dhe të formonin "partira", që në të
vërtetën s'ishin veçse emra të zbrazët "Radikal-Demokrate", "Nacional-Demokrate",
etj. Por çthurja kishte nisur edhe më përpara, sepse i tërë ai grumbull ishte si një tok
prej kashte që s'e lidhte asgjë. Dy nënkolonelat, që ndodhëshin në krye t'administratës
dhe të forcave ushtarake, ishin dhënë pas dëfrimevet dhe s'interesohëshin për gjë
tjetër. Kështu kuadrat e larta t'ushtërisë dhe t'administratës punohëshin prej agjentëvet
të Zogut dhe të Jugosllavisë, të cilët vinin rreth lirisht në Tiranë dhe nëpër malësitë e
veriut. Njëkohësisht, Zogu po pregatiste në Jugosllavi fuqitë e sulmimit, i ndihmuar
prej Ceno Kryeziut, i cili hynte e delte në Belgrad si në shtëpinë e tij.

Pashiçi, që kishte derdhur gjith atë gjak Shqiptarësh më 1913, siç pat futur në Shqipëri
Esad Toptanin më 1914, Marka Gjonin më 1921, po fuste tani Zogun duke i dhënë
mjetet që i duhëshin. Dhe ia la trashëgim Dushan Mugoshës që të krijonte më vonë
partinë e Enver Hoxhës. Nga këto kuptohet se çfarë roli të rëndësishëm ka lozur
Jugosllavia në punët e brendëshme dhe ndërrimin e regjimevet të Shqipërisë.

Përpara se të niste sulmi, Jugosllavët kishin përqendruar trupa gjatë kufijvet dhe
filluar nga provokimet. Me të hollat që i dhanë Anglezët (Shoqëria Anglo-Persiane),
me armët dhe municionet që i dhanë Jugosllavet dhe me forcat merçenare që pregatiti
në Jugosllavi, ku mblodhi Rusë të Bardhë e aventurierë, Ahmet Zogu e sulmoi
Shqipërinë nga mesi i Dhjetorit 1924. Një regjiment i ushtërisë së rregullt jugosllave
shkeli kufirin shqiptar për t'iu hapur udhën bandavet merçenare që kumandonte Ceno
Kryeziu. Njëkohësisht hynë nga ana e Kakavisë, në jugë, Myfit Libohova dhe Koço
Kota me bandat e pregatitura ne Greqi. Qeveria shqiptare, përveç disa përpjekjesh të
vogla, nuk bëri dot qëndresë, se çdo gjë ishte çthurur që më parë: nuk kishte as
kumandë, as plan, as drejtim. Një qëndresë që bëri Elez Isufi, në Peshkopi, u thye, dhe
ai vetë u vra. Po ashtu mbaroi edhe qëndresa e Bajram Currit. Pasi mblodhi fuqi të
tjera në Dibër e Mat, Ahmet Zogu hyri në Tiranë më 24 të Dhjetorit 1924. Fan Noli
me qeverinë dhe me një grumbull "demokratësh" hipën në një vapor, në Vlorë, dhe u
degdisën n'Itali.

Përmbysja e aq shpresave për t'a bërë Shqipërinë të zonjën e vetvehtes, siç ishte
programi i lëvizjes së Qërshorit, ka qënë një humbje e madhe dhe pati pasoja të rënda
në jetën kombëtare: e para, sepse Shqipëria nuk u zhvillua dot nëpër dritën e mendimit
të lirë, ndërgjegjia e Shqiptarëvet mbeti e ndrydhur. E dyta, sepse disa nga të rinjtë e
Shoqërisë Bashkimi, pas tronditjes që pësuan dhe duke mos pasur se në çfarë ideje të
pështeteshin, ndoqën shembullin e Fan Nolit dhe u kthyen nga Rusia sovietike, krijuan
kështu një klimë pro komuniste, që vazhdoi si shpuzë e mbuluar gjatë regjimit të
Zogut, por që mori flakë rrëmbyer porsa gjeti kohën e përshtatshme.

XXVIII
24 Dhjetori u shpall prej zogistëvet si dita e "Triumfit të Legalitetit", një "legalitet" i
çuditshëm që u vendos me ndihmën e Jugosllavisë, ushtëria e së cilës iu hapi udhën
bandavet të Zogut duke shkelur kufirin shqiptar. Këto lloje vepërimesh u bënë një
zakon aq i keq për ngjarjet e pastajme, sa që kundërshtarët e Zogut s'e patën për gjë,
më 7 Prill 1939, të hynin në Shqipëri me ushtërinë italiane si "çlironjës" të vendit.

Me fjalën "legalitet", Ahmet Zogu donte të thoshte se partia e tij kishte qënë pushteti i
ligjshëm, që mbahej me votëbesimin e shumicës parlamentare, kur u përmbys prej një
rebelizmi ushtarak në Qërshor të 1924-ës; dhe tash këthehej prapë në fuqi. Duke e
pasur shqisen politike më të mprehtë nga ajo e kundërshtarëvet të tij, Ahmet Zogu
vuri ca ditë në kolltuqe sa për formë qeverinë e përmbysur prej kryengritjes së
Qërshorit dhe thirri Asamblenë Kushtetonjëse të mëparshme me ata antarë që i kishin
mbetur. Kjo shpalli Republikën Shqiptare, më 21 Jenar 1925, dhe zgjodhi kryetar të
saj Ahmet Zogun. Sipas Statutit që u votua më 31 Jenar, kryetari i Republikës, i cili
zgjidhej për 7 vjet, ishte njëkohësisht edhe kryetari i qeverisë. Republikës së re nuk i
mungonte veshja parlamentare e përbërë prej dy dhomash: Senati edhe dhoma e
deputetëvet. Senati përbëhej prej 18 antarësh, nga të cilët dy të tretat zgjidhëshin prej
popullit dhe-një e treta emërohej prej kryetarit të Republikës. Kurse deputetët
zgjidhëshin për 4 vjet, me anë zgjedhësish të dytë, si më parë, por në një numër më të
kufizuar: një për 15.000 frymë që kështu delnin gjithësejt nja 57 "baballarë të
kombit". Është e kotë të zgjatemi këtu mbi përcaktimet e fuqisë dhe të kontrollit që
duhej t'ushtronte parlamenti, mbasi praktikisht të gjitha fuqitë i kishte Zogu me rrethin
e tij.

Si njeriu i vepërimit dhe që s'merrej me ëndërra të kota, krahas me këto forma


"legale", Ahmet Zogu mori të gjitha masat praktike për të vendosur sundimin e tij. E
ndau vendin në zona operacioni ku dërgoi fuqi merçenarësh me nga një kumandar
besnik në krye, duke bërë shtrëngime për çarmatimin e popullsisë në Shqipërinë e
jugës dhe në disa krahina të veriut. Kurse ato malësi që kishin marrë anën e Zogut i
mbanin armët lirisht. Ndoqi me rreptësi kundërshtarët e tij, disa prej të cilëve i vrau.
Dërgoi e vrau Luigj Gurakuqin, në Bari, më 2 Mars 1925. Dhe në fund t'atij muaji
fuqitë ndjekëse vranë Bajram Currin te Shpellë e Dragobisë. Duke vepëruar me
shpejtësi, Zogu vuri kudo besnikët e vet n'administratën e në kumandat ushtarake, për
t'a mbledhur fuqinë e shtetit në duart e tija. Formoi një qeveri me njerëz që kishin
marrë anën e tij, si Myfit Libohova, Koço Kota etj., disa prej të cilëvet i mbajti gjer në
fund. Por pas këthimit prej Jugosllavie dhe kur e ndjeu vehten mjaft të fortë, Ahmet
Zogu desh të çlirohej prej rrethit të bejlerëvet të mëdhenj, të cilët donin t'ushtronin
ndikimin e tyre në politikën e vendit, dhe formoi një regjim krejt personal. Për këtë
punë, i mënjanoi bejlerët ca nga ca ose i uli në radhën e oborrtarëvet të nënshtruar,
duke i përdorur në lloj lloj shërbimesh me rroga e pozita dhe duke iu lënë, natyrisht,
çifliqet, por ua hoqi rëndësinë politike. Për këtë arësye, ose edhe sepse i ndrinte
përpara syvet një kurorë mbretërore, e prishi mblesën me të bijën e Shefqet Vërlacit,
për të mos pasur detyrime kundrejt këtij.

Cinik prej natyre dhe i rritur me konceptet orientale të politikës, Zogu nuk njihte tjetër
parim përveç interesit dhe nuk besonte në kurrfarë ideje ose idealizmi. Dhe është për
t'ardhur keq, se me energjinë e tij, me zotësinë dhe intuitën politike që kishte, mund t'i
kish sjellë shërbime të mëdha Shqipërisë sikur të kish formuar një rreth me njerëzit
më të ndritur dhe moralisht më të lartë, prej të cilëvet mund të gjente sigurisht edhe në
brezin e ri edhe në të vjetërin, duke mbajtur nër duar flamurin e shqiptarizmit; më të
pastër, ashtu si kanë bërë tek popuj të tjerë disa udhëheqës të mëdhenj. Virtuti ngjall
gjithmonë enthusiazmë dhe tërheq, e nuk mund të thuhet se i tërë kombi shqiptar ishte
një kalbësirë. Tjetër punë sepse Zogu mblidhte rreth vehtes kalbësirat. Sikur të kishte
qënë i një tjetër lartësie morale, jo vetëm mund t'a kish vënë popullin shqiptar në
rrugën e zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit, por sidomos - dhe të dyja këto anë
lidhen bashkë - do të kishte sjellë pajtimin e shpirtravet, mbylljen e plagëvet
shoqërore të vjetra, ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në një tjetër shkallë pjekurie, me
frymën e drejtësisë dhe nëpër dritën e idevet të lira, kështu që ai popull do të kish
gjetur ndoshta ekuilibrin e brendshëm dhe do të kish formuar lidhjet e nevojshme
rreth një ideje qendrore shqiptare për t'iu bërë ballë furtunavet të pastajme. Por regjimi
i Zogut s'bëri tjetër veçse i acaroi konfliktet shoqërorë edhe më tepër, rrëzoi në llom
çdo shpresë që mund të kishte njeriu në vleftat kombëtare e morale, në drejtësinë, në
rolin udhëheqës të shtetit drejt së mirës. Nuk lejoi që të formohej një ide qendrore
shqiptare e pështetur në të vërtetën. E la vendin në një anarki të plotë shoqërore e
ekonomike, mendore e morale, nga e cila s'mund të delte veçse komunizmi.

Por Zogu nuk ishte nga ata që ndiejnë një mision historik në vetvehte dhe që ia
kushtojnë të gjitha energjitë e shpirtit për t'a përmbushur. Nuk ishte njeriu i krijimit,
por një ambicioz i zakonshëm nga ata që duan të kumandojnë e të shkëlqejnë. Nuk e
shtynte një dashuri e thellë për vepra të larta e të qëndruarshme, por dëshira e
rëndomtë për madhëri, për kumandë, për lukse e pasuri. Këtë e provoi sidomos më
1928, kur ngrehu një "mbretëri" theatrore, me ca paraqitje qesharake, mbi një popull
të vogël e të mjerë. E provoi me kultin e vetvehtes, me salltanetet, me paradat e një
ushtërie kukëll, që përpiu gjysmën e buxhetit të shtetit për 14 vjet rresht, për të mos
bërë as një orë qëndresë kur erdhi dita që atdheu të sulmohej nga i huaji.

Për të kënaqur këto dëshira, Zogut i duhej të sundonte si një despot oriental, pa i
dhënë llogari askujt. Prandaj ngrehu një regjim personal duke u pështetur në forcat më
të prapambetura të vendit dhe duke mbledhur rreth vehtes elementin më të dobët.
Bazën e forcës së tij Zogu e krijoi me disa krerë e bajraktarë të veriut, mësuar prej
kohësh të jetonin si merçenarë. Zogu dijti të lidhte pas vehtes një pjesë prej tyre duke i
bërë oficerë "kreshnikë" me grada e rroga sipas rëndësisë. Në kohë qetësie, këta rrinin
në shtëpi dhe merrnin gjysmën e rrogës. Në rast nevoje, iu jepej urdhëri që të çonin në
këmbë sa më shumë burra prej krahinavet të tyre, të cilët qëndronin gjithnjë
t'armatosur. Me anën e këtyre i pat shtypur Zogu të gjitha kryengritjet që u bënë
kundër tij, mbasi ushtërisë së rregullt nuk i kishte besim: kjo ishte vetëm sa për
paradë, me gjithë milionat që i kushtonte shtetit.

Mbasi formoi bazën e forcës me krerë e bajraktarë të veriut (që kishin qënë më parë
në shërbim t'Esad Toptanit a të kujtdo tjetër), Zogu s'kishte më nevojë për pështetjen e
bejlerëvet të mëdhenj, dhe i uli këta në radhën e oborrtarëvet. Mblodhi rreth tij
njerëzit më të poshtër që mund të mendohej, të cilët i kumandonte si shërbëtorë. Këta
deri atëhere s'i kishte lidhur asgjë me Shqipërinë, shumë prej tyre kishin qënë kundër
lëvizjes kombëtare në të kaluarën duke bashkëpunuar me Turqit e me Grekët. Kur na
duallë menjëherë "veteranë", domethënë shërbëtorë besnikë të Zogut, dhe duhej që
populli shqiptar t'iu paguante rroga. Njerëzve të regjimit, t'administratës dhe
t'ushtërisë iu kërkohej vetëm një cilësi: t'ishin "besnikë" dhe asgjë tjetër. Kjo arriti në
një farë kulti të personit të Zogut, në një mënyrë të neveritshme. Kur njerëzit e një
regjimi zgjidhen vetëm sipas kriterit të besnikërisë ndaj kryetarit, merret me mend se
çfarë elementi i dobët hipokrit e dallkauk mblidhet n'atë sofër. Të tillë qenë
përgjithsisht ata që mbajtën në këmbë regjimin personal të Zogut gjatë atyre 14
vjetëve.

Duke pasur si një forcë në rezervë "kreshnikët" e veriut dhe si kuadra për n'aparatin e
shtetit "besnikët", Zogu iu përvesh me një dorë të fortë organizimit t'administratës dhe
të Gjindarmërisë. Bëri një ligj t'administratës civile, sipas të cilit vendi ndahej në 10
prefektura, që kishin nga dy-tri nënprefektura, dhe këto nga dy-tri krahinari ose
komune, siç u quajtën më vonë. Administrata ishte ngushtësisht e përqendruar në
duart e ministrit të Punëve të Brendëshme, dhe ky urdhërohej, natyrisht, prej Zogut.
Për të mos lënë jashtë kontrollit qeveritar asnjë tjetër formë autoriteti, Zogu i futi më
vonë edhe bashkitë nën urdhërat e qeverisë, dhe kryetarët e tyre, që deri atëhere
zgjidhëshin prej qytetarëvet si në çdo vend të botës, emërohëshin tani prej Ministrisë
së Punëve të Brendëshme, sikurse prefektat dhe nënprefektat. Një rëndësi të veçantë i
dha Zogu organizimit të gjindarmërisë. Vetëm në këtë nuk lejoi ndërhyrjen e
Italianëvet, por u a besoi organizatorëve anglezë. Degën e gjindarmërisë e ndau në
katër zona: e Veriut, e Lindjes, e Shqipërisë së Mesme dhe e Jugës, me qendra
Shkodrën, Peshkopinë, Tiranën dhe Përmetin. Në secilën prej zonavet kishte nga një
inspektor anglez. Gjindarmëria varej nga kumanda e përgjithshme e saj me qendrën në
Tiranë. Kumandari i përgjithshëm, shqiptar, dhe inspektori i përgjithshëm, anglez,
ishin drejtpërdrejt nën urdhërat e Zogut. I pari organizator dhe inspektor anglez i
gjindarmërisë shqiptare pat qënë koloneli Sterling, i cili u zëvëndësua më pastaj nga
gjeneral J. Percy. Mund të thuhet se gjindarmëria ishte mjaft mirë e organizuar dhe se
qetësia u mbajt në rregull, mbasi edhe Zogu vetë ishte i zoti për kësij punësh.

Nuk dimë (ose s'është nevojë të shkruajmë këtu) se çfarë premtimesh i bëri Zogu
Jugosllavisë, kur kjo e ndihmoi që të këthehej në Shqipëri. Por nga premtimet që
mund t'i ketë bërë, zbatoi vetëm lëshimin e Vermoshit dhe të Shën-Naumit.

Ishte bërë punë e mërzitshme çështja e kufijvet të Shqipërisë, sepse Jugosllavia dhe
Greqia mundohëshin gjithmonë të shkëputnin diçka më tepër. Më 1923, Jugosllavia
kish ngulur këmbë për të mbajtur Vermoshin dhe Shën-Naumin, dhe Greqia 14
fshatrat e qarkut të Korçës. Konferenca e Ambasadorëvet nuk i mori fare parasysh
kërkesat e këtyre shteteve përsa iu përkiste Vermoshit dhe 14 fshatravet. Por çështja e
Shën-Naumit u rrah gjatë. Duke e interpretuar në dobi të saj tekstin e Protokollit të
Londrës që caktonte kufijtë e shtetit shqiptar me 1913, Jugosllavia mtonte se Shën-
Naumi i takonte asaj. Por Konferenca e Ambasadorëvet, në një vendim të 6 Dhjetorit
1922, i dha të drejtë Shqipërisë. Në Prill e në Maj 1923, Jugosllavia e kundërshtoi atë
vendim dhe kërkoi që të rishikohej. Konferenca e Ambasadorëvet formoi një
komision anglo-franko-italian për t'a shqyrtuar edhe një herë atë çështje, por mbasi
komisioni s'ra dot n'ujdi, çështja kaloi në Lidhjen e Kombevet, e cila kërkoi mendimin
e këshilltarëvet të saj juridikë. Këta i dhanë të drejtë Jugosllavisë, por Lidhja e
Kombevet nuk mund t'a thyente aq lehtë vendimin e Ambasadorëvet, të cilët ishin
ngarkuar prej Konferencës së Paqes për caktimin e kufijvet të Shqipërisë, prandaj ia
kaloi çështjen Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës. Ky, mbasi i rishikoi të gjitha të dhënat,
e ndau punën më mirë, dhe u shpreh që Shën-Naumi t'i jepej Shqipërisë sipas
vendimit të Konferencës s'Ambasadorëvet, marrë më 6 Dhjetor 1922. E pështetur në
mendimin e Gjyqit të Lartë Ndërkombëtar, Lidhja e Kombevet ia njohu Shën-Naumin
Shqipërisë, në Tetor 1924. Konferenca e Ambasadorëvet e vërtetoi edhe një herë atë
vendim më 27 Prill 1925. Mirëpo Zogu, në Korrik t'atij viti, ia bëri peshqesh
Jugosllavisë jo vetëm Shën-Naumin, po edhe Vermoshin, të cilin Konferenca e
Ambasadorëvet s'kish pranuar t'a vinte fare në bisedim mbasi i takonte Shqipërisë.
Disa "kalemxhinj" zogistë kanë dashur jo vetëm t'a mbulojnë këtë trathëti, po edhe t'a
tregojnë si një politikë t'urtë të Zogut, duke u pështetur n'arësyen se Jugosllavia i kish
pushtuar ato vise dhe s'do të dëgjonte kurrsesi t'ia këthente Shqipërisë etj. Këto profka
nuk kanë asnjë vleftë, sepse Jugosllavia do të detyrohej më në fund t'ia këthente ato
dy vise Shqipërisë, sikurse u detyrua Greqia për 14 fshatrat. Konferenca e
Ambasadorëvet dhe Lidhja e Kombevet nuk do t'a shkelnin vendimin e tyre, pasi kaloi
edhe nga gjyqi ndërkombëtar, dhe do të kërkonin që Jugosllavia të nënshkruate
përfundimisht caktimin e vijës së kufirit me Shqipërinë. Po edhe sikur Jugosllavia të
vazhdonte kundërshtimin për ca kohë, kryetarit të shtetit shqiptar nuk ia lejonte as
nderi as detyra që t'i falte asaj peshqesh pjesë të tokës kombëtare duke i legalizuar atë
çka ndërkombëtarisht i ishte njohur Shqipërisë.

Mbasi pësuan edhe këto ndryshime të vogla, kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan


përfundimisht prej Komisionit Ndërkombëtar, në Korrik 1926, dhe Protokolli i fundit
u nënshkrua në Paris, më 30 t'atij muaji, prej Ambasadorëvet t'Anglisë, të Francës,
t'Italisë dhe të Japonisë, dhe prej nga një përfaqësonjësi të Jugosllavisë, të Greqisë e të
Shqipërisë.

Zogu e dinte se nuk mund të mbahej në fuqi pa një përkrahje të jashtëme, e sidomos
pa ndihmën financiare të jashtëme. Shqipëria ishte një vend shumë i varfër, akoma
fort i përçarë, dhe fqinjët ballkanike s'pushonin së ndërhyri. Për të mbajtur në këmbë
administratën, forcat e armatosura, për të paguar "kreshnikët", për të ndërtuar rrugë,
ura, pallate, e sidomos për të kënaqur ambicjet e tija për lukse e madhëri, Zogut i
duheshin mjete. Shteti shqiptar kishte provuar më parë të gjente një hua nëpërmjet të
Lidhjes së Kombevet, prej kapitalesh politikisht asnjanëse, por s'kishte mundur. Mbasi
gjendja politike e Shqipërisë paraqitej e pasigurtë dhe pasuritë e saja natyrore nuk
njihëshin mirë, vështirë se mund të gjendëshin kapitale prej shtetesh asnjanëse për t'u
derdhur aty. Pastaj rreth Shqipërisë sillëshin si langonjtë pas erës shtetet që kishin
interesa politike, në radhë të parë Jugosllavia dhe Italia. Kurse Greqia kërkonte të
shkëpuste ato krahina që ajo i quante "Vorio-Epir", por nuk mendonte të bënte një
politikë të përgjithshme me shtetin shqiptar. Anglia kish dëftyer një farë interesimi për
Shqipërinë prej vitit 1920 e këtej, por tani nuk donte t'i delte përpara Italisë, me të
cilën kish nisur t'afrohej. Pas ardhjes në fuqi të regjimit fashist dhe duke i kuptuar
ambicjet e tija, Britania e Madhe desh t'a drejtonte Italinë nga Evropa jugë-lindore,
qoftë për t'ia nxjerrë Francës si një pengesë, qoftë për të kundërshtuar shtrirjen e
ndikimit të Rusisë sovietike. Në këto kushte, Shqipëria mbetej, natyrisht, në sferën e
interesavet italiane. Një farë pozite të privilegjuar kundrejt Shqipërisë ia kishte njohur
Italisë edhe vendimi i Konferencës s'Ambasadorëvet më 9 Nëntor 1921.

Kundrejt afrimit anglo-italian, qëndronte lidhja m'e ngushtë akoma ndërmjet Francës
dhe Jugosllavisë. Nëse Anglia lejonte një "depërtim paqësor" t'Italisë në Shqipëri,
Franca do të dëshironte që Shqipëria të mbetej nën panxhën e Jugosllavisë. Kështu,
siç kishte qënë dikur një shesh rivaliteti ndërmjet Austro-Hurngarisë dhe Italisë,
Shqipëria ngelte në të njëjtën pozitë midis kësaj së fundit dhe Jugosllavisë, e cila
zëvendësonte Austro-Hungarinë në bregun lindor t'Adriatikut. Duke mos pasur një
ekuilibër të brendshëm dhe e ndodhur në një shkallë ekomomike e kulturore shumë
t'ulët, ishte e vështirë që Shqipëria t'iu qëndronte ndërhyrjevet të njërës e të tjetrës pa
u pështetur në njërën kundrejt tjetrës. Zogu dijti të manevronte me njërën e me tjetrën,
për interes të tij por jo të Shqipërisë.

Për sa kohë që ishte puna për të marrë në dorë fuqinë, asnjë shtet tjetër nuk mund t'i
jepte Zogut praktikisht një përkrahje aq të madhe sa Jugosllavia. Sepse kjo kishte kufij
të përbashkët me Shqipërinë rreth malësivet të veriut, ku krerë e bajraktarë, me intriga
e pak të holla, mund t'i përdorte si të donte, duke i vënë ndën urdhëra të Zogut ose
duke i kthyer kundër tij. Prandaj Zogu, që e pat ndier t'afërt shpërthimin e luftës së
brendëshme, miqësinë e parë e shtrëngoi me Jugosllavinë, përkrahja e së cilës i dukej
e domosdoshme jo vetëm për të gjetur përkohësisht strehë në rast nevoje, po edhe për
të vepëruar në Shqipërinë e veriut. Kurse tani që u bë zot i vendit, Jugosllavia mund të
këthehej e rrezikshme për të, sepse, me të njëjtën lehtësi, mund të çonte në këmbë
krerë të tjerë kundër këtij, nëqoftëse-ky nuk i nënshtrohej plotësisht. Pra duhej gjetur
një tjetër mbështetje, që s'mund t'ishte veçse Italia.

Zogu qe munduar t'afrohej sa më shumë me Anglezët. Këta e përkrahën këthimin e tij


në Shqipëri, siç pat ndërhyrë ca kohë më parë ministri i tyre për të larguar Elez Isufin
prej Tirane. Përveç organizatorëvet të gjindarmërisë që i kishte Anglezë, Zogu pat
mbajtur vazhdimisht lidhje me përfaqësonjës të Shoqërisë Anglo-Persiane për t'i
dhënë kësaj konçesionin e vajgurit. Me t'u kthyer prej Jugosllavie dhe duke pasur
nevojë të ngutshme për të holla, Zogu i dha Shoqërisë në fjalë të drejtën e kërkimevet
vajgurore mbi një sipërfaqe prej nja 60.000 hektarësh ndërmjet Beratit dhe Vlorës.
Projekti i kësaj marrëveshjeje i pat qënë paraqitur parlamentit të mëparshëm, në
Shtator 1923, por nuk gjeti pëlqimin e tij, dhe kish mbetur varur. Zogu e bëri që të
ratifikohej prej "Asamblesë Kushtetonjëse", në Shkurt 1925. Gjatë atij viti, Zogu iu
lëshoi konçesione për kërkime edhe disa shoqërive të tjera të jashtëme. Por duket se
Anglo-Persiania dhe shoqëritë e tjera nuk i gjetën fort të pasura shtresat vajgurore të
Shqipërisë. Nga ana tjetër, Italia ndërhyri pranë qarqevet politike angleze që t'ia linin
asaj shfrytëzimin e pasurivet natyrore të Shqipërisë. I bëri gjithashtu premtime Zogut
për t'a tërhequr n'anë të saj. Mbasi ajo kohë ishte një periudhë afrimi ndërmjet Anglisë
dhe Italisë, dhe pasuritë minerale të Shqipërisë nuk ishin fort të rëndësishme,
shoqëritë angleze e të tjerat hoqën dorë, dhe Shqipëria mbeti fushë e lirë për Italinë.

Regjimi fashist italian me Mussolini-n në krye kish nisur zhurmën e tij dhe pregatitjen
për ndërmarrje të mëdha në drejtim të jugë-lindjes. Shqipëria ishte kyçi i Adriatikut
dhe kryeura e zgjerimit italian në Mesdhe. Prandaj merret me mend se çfarë rëndësie
mund të kishte për Italinë imperialiste. Po edhe Zogut i binte mirë që t'anonte nga
Roma, për tri arësye: e para, Italia ishte në gjendje t'a mpronte prej Jugosllavisë; e
dyta, ishte në gjendje t'a ndihmonte me kapitale; e treta, duke qënë përtej detit, nuk e
kishte aq lehtë që t'a rrëzonte Zogun me anë lëvizjesh të brendëshme siç mund të
bënte Jugosllavia. Tjetër punë se ç'mund t'i ngjante më vonë Shqipërisë prej "lidhjevet
të ngushta" me Italinë.

Kështu Zogu iu suall Italisë, me të cilën kish nisur t'afrohej porsa u kthye prej
Jugosllavie. Në Mars 1925, dërgoi në Romë ministrin e Finiancavet, Myfit
Libohovën, për të bërë me qarqet financiare italiane marrëveshjen e një huaje dhe atë
të shfrytëzimit të pasurivet natyrore të Shqipërisë. Myfit Libohova, që shkoi si mik
ose agjent i Italisë, u prit në Romë me nderime të mëdha dhe, natyrisht, u shpërblye
mirë... Grupet financiare italiane e dinin sesi ecin punët, prandaj nuk i kursyen
bakshishet, duke i dhënë Zogut pjesën që i takon luanit, e pastaj rrethit të tij, si Koço
Kotës, Fejzi Alizotit, Iljaz Vrionit e të tjerëve, pjesën që i takon ujkut a dhelprës.
Përfundimi ish se marrëveshjet financiare e ekonomike me Italinë, të cilat filluan të
nënshkruhëshin në Maj 1925, u bënë të gjitha në përfitim të kapitalit italian dhe ashtu
si desh Italia.

Puna u nis me krijimin e "Bankës Kombëtare të Shqipërisë" prej grupit


bankier Credito Italiano. Asaj do t'i përshtatej më mirë emri "Banka Italiane e
Shqipërisë", mbasi qendra e saj ishte në Romë dhe kapitali italian duhej të kishte jo
më pak se 51 për qind t'aksionevet. Kështu që Shqiptarët s'ushtronin dot asnjë fuqi
mbi të. Le që Myfit Libohova me rrethin e Zogut, të cilët muarën ryshfete të mëdha, e
suallën punën aq mirë në dobi të kapitalit italian, duke e mbajtur të fshehtë afatin e
shkurtër për nënshkrimin e aksionevet, sa që tri të katërtat e këtyre iu mbetën
Italianëvet, dhe një pjesë tjetër disa shoqërive të huaja. Mandej, për "zhvillimin
ekonomik të Shqipërisë", u formua Shoqëria S.V.E.A., e cila do të jepte një hua prej
70 milionësh franga ari me interes të lartë dhe kondita shumë të rënda, duke marrë si
garanti t'ardhurat doganore dhe të disa monopoleve të shtetit shqiptar. Kur, më 1927,
u provua se Shqipëria nuk ishte në gjendje të paguante interesin dhe këstin e huas,
qeveria italiane e mori vetë përsipër t'ia lante detyrimet Shoqërisë SVEA, kështu që
shteti shqiptar i mbetej borxh shtetit italian, gjithmonë nën garantinë e t'ardhuravet
doganore dhe të monopolevet.

Njëkohësisht, qeveria e Tiranës iu dha shoqërivet italiane konçesionet për


shfrytëzimin e pasurivet kombëtare të vendit. Shoqëria A.I.P.A. mori konçesionin e
vajgurevet në kondita shumë të mira për të, duke i paguar shtetit shqiptar një
përqindje fare t'ulët, dhe vetëm 1,5 Fr. ari për hektar në vit si qira toke. Një tjetër
shoqëri italiane, S.I.G.M.A, mori konçesionin e nxjerrjes së linjitit (një lloj
qymyrguri) në Memaliaj të Krrabës, duke paguar si qira toke 2 Fr. ari në vit për
hektar. Qeveria e Tiranës i dha edhe një shoqërie jugosllave konçesionin e
shfrytëzimit të bakërrit në Pukë. Një shoqëri gjermane dhe një tjetër italiane muarën
konçesione për shfrytëzimin e pyjevet të Mamurasit. Italianët ngritën në Shqipëri edhe
disa ndërmarrje bujqësore, si në Sukth, afër Shijakut, n'Yrshek, afër Tiranës, në
Llakatund të Vlorës dhe në Vurg të Delvinës.
Marrëveshjet financiare e ekonomike me Italinë, sidomos në lidhje me krijimin e
"Bankës Kombëtare" dhe me huan e SVEA-s, kur shkuan në parlament për miratim,
gjetën kundërshtimin e një grupi deputetësh, të cilët e paditën Myfit Libohovën se
kish marrë ryshfet prej Italianëvet dhe formuan një komision hetimesh për t'a
gjyrmuar atë çështje. Që Myfit Libohova dhe disa "shkëlqesa" të tjerë muarën si
bakshish shuma të mëdha prej Italianëvet, e panë edhe të verbërit, sepse brenda pak
muajve këta zotërinj ngrehën vila, blenë aksione nëpër shoqëritë, ose apartamente
n'Evropë, si në Paris e gjetkë. Disa "kaurë" si Koço Kota, që kishin dëshirë të vjetër
për t'u bërë çifligarë, blenë edhe çifiliqe. Por puna ishte se bakshishin më të madh prej
grupevet financiare italiane e kishte marrë Zogu vetë. Prandaj çdo gjyrmim kundër
Myfit Libohovës do t'ia nxirte byrekut të gjitha lakrat në shesh. Për t'a fshehur
skandalin prapa ligjevet, shumica parlamentare vuri përpara nenin 74 të Kushtetutës
republikane, sipas të cilit; kryetari i Republikës nuk ishte përgjegjës përpara
parlamentit. Dhe mbasi ai ishte njëkohësisht edhe kryetari i qeverisë, duhej të
përfitonin edhe ministrat e tij nga ajo "paprekshmëri". Sidoqoftë, çështja bëri aq bujë
sa që Ahmet Zogu u detyrua të formonte një qeveri të re, në shtator 1925, ku Myfit
Libohova nuk bënte pjesë. Kjo i dha rast Ahmet Zogut t'a ulte ca më poshtë rrethin e
bejlerëvet të mëdhenj dhe të sillte në qeveri njerëz si Musa Juka. Mandej vuri tërë
forcën që çështja e Myfit Libohovës të mbyllej, ashtu siç u mbyllën më pastaj shumë
skandale të tjerë të këtij lloji.

Qëllimi i depërtimit ekonomik italian në Shqipëri ishte që të sillte pas depërtimin


politik dhe ushtarak. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet erdhën gjithmonë duke u
ngushtuar. Në Qërshor 1926, ministri i Italisë në Tiranë, Aloisi, i propozoi qeverisë së
Zogut lidhjen e një pakti politik me Italinë, që t'i njihte kësaj të drejtën e mprojtjes së
Shqipërisë, pa ndërmjetësimin e Lidhjes së Kombevet, në rastin e ndonjë agresioni.
Zogu e kuptoi se qeveria fashiste e Romës donte t'a lidhte sa më ngushtë pas rrotavet
të saja, dhe nisi të mendohej. Por në muajin e Nëntorit shpërtheu kryengritja e
Dukagjinit e shtytur prej Jugosllavisë dhe e udhëhequr nga prifti Dom Loro Caka.
Lëvizja vetë kish një qëllim separatist katolik, kurse Jugosllavia që e shtyti, synonte,
si gjithmonë, shkatërrimin e shtetit shqiptar. Një pjesë e të mërguarve politikë,
kundërshtarë të Zogut, ishin vënë në shërbim të Jugosllavisë. Zogu e shtypi
kryengritjen e Dukagjinit, por këto rrethana e detyruan të përfundonte sa më shpejt
paktin italo-shqiptar të "miqësisë dhe sigurimit", i cili u nënshkrua në Tiranë, më 27
Nëntor 1926. Sipas këtij pakti, Italia garantonte jo vetëm statu quo-në tokësore të
Shqipërisë, po edhe statu quo-në politike e juridike, domethënë, me fjalë të tjera, i
jepej e drejta që të ndërhynte për të mbajtur regjimin e Zogut në fuqi sa herë që ky
t'ishte në rrezik edhe prej lëvizjesh të brendëshme. Siç shihet, kjo marrëveshje
cënonte, nga ana juridike, pavarësinë e Shqipërisë duke e vënë këtë pothuajse ndën
protektoratin italian.
Pakti i Tiranës shkaktoi një valë shqetësimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Për të
qetësuar dyshimet e Shqiptarëvet, ministri i Italisë në Tiranë, baron Aloisi, me anën e
një letre drejtuar qeverisë shqiptare më 5 Dhjetor 1926, sqaronte se ndihma italiane do
t'i jepej Shqipërisë vetëm në rast se e kërkonte kjo vetë.

Përjashta, pakti i Tiranës çoi peshë zemërimin e Jugosllavisë dhe shkaktoi mjaft
zhurmë në shtypin jugosllav dhe frëng. Por Italia pati përkrahjen e qarqevet britanike,
dhe e hodhi poshtë propozimin jugosllav që desh t'a shtronte çështjen shqiptare në
Lidhjen e Kombevet. Ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Austen Chamberlain, u
përgjigj në Dhomën e Komunevet se kishte marrë sigurime nga Mussolini që Italia do
të ruante pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë. Austen Chamberlain-i ishte
takuar me Mussolini-n në Livorno t'Italisë, më 30 Shtator 1926, ku qe biseduar, nër të
tjerat, edhe çështja e Shqipërisë, mbi të cilën Anglia i linte dorë të lirë qeverisë
fashiste të Romës për një "depërtim paqësor". Pakti i Tiranës u regjistrua në Lidhjen e
Kombevet si një marrëveshje e zakontë ndërmjet dy shtetesh.

Si një përgjigje paktit të Tiranës dhe për të kundër-balancuar ndërhyrjen italiane në


Ballkan, Jugosllavia nënshkroi një pakt aliance me Francën, më 11 Nëntor 1927.
Kështu Italia gjeti shkak të nënshkruate me Shqipërinë një tjetër traktat me karakter
ushtarak, ose "aliancë mprojtëse" siç u quajt në gjuhën zyrtare, më 22 Nëntor 1927.
Sipas këtij traktati, që u lidh për 20 vjet, të dy palët duhej t'i vinin në ndihmë njëra-
tjetrës në rast se njëra prej tyre sulmohej nga jashtë dhe kërkonte ndihmën e aliates së
vet. Pas nënshkrimit të këtij "pakti të dytë të Tiranës", zunë të vinin radhë e radhë prej
Italie këshilltarë teknikë e organizatorë ushtarakë, armë e municione, për të mëkëmbur
ushtërinë shqiptare. Paradat ushtarake dhe shkëlqimi i uniformavet pajtohëshin fare
mirë me natyrën e Zogut.

Nuk duhet kaluar në heshtje roli i dobët që lozën disa nga të mërguarët politikë,
kundërshtarë te Zogut, gjatë marrëveshjevet që ky bëri me Italinë. Ata ishin katandisur
në merçenarë të politikës, mbahëshin me rroga prej Jugosllavisë ose prej Italisë dhe
përdorëshin prej këtyre dy shteteve në të gjitha intrigat dhe presionet kundër Zogut.
Italia, për shembull, kur ish duke bërë marrëveshjet me qeverinë e Tiranës, bisedonte
njëkohësisht mbi të njëjtat çështje me disa të mërguar politikë dhe ua merrte me
nënshkrim se çfarë lëshimesh do t'i bënin ata nëqoftëse ajo i ndihmonte për t'u kthyer
në Shqipëri. Dhe ata, pa pikë turpi, tregohëshin më dorëlëshuar nga Zogu... të cilin
mandej Italia e vinte në dijeni për të bërë presion mbi të.

Nga ana tjetër, Jugosllavia, kur pa se Zogu u pështet pas Italisë, vazhdoi si më parë
cytjet dhe provokimet rreth kufijvet. Mbasi dështoi kryengritja e Dukagjinit,
Jugosllavia mendoi t'a përmbyste Zogun me anën e Ceno Kryeziut, i cili ishte i kunati
i tij dhe njeriu i Jugosllavisë. Mirëpo Zogu i ndiente shumë larg ato punë. E emëroi
Ceno Kryeziun ministër të Shqipërisë në Çekosllovaki dhe dërgoi e vrau në Pragë.
Mbasi e zotëroi mirë gjendjen përbrenda dhe e forcoi pozitën e vet ndërkombëtare
nëpërmjet të lidhjevet me Italinë, Zogu mendoi se erdhi çasti për të realizuar ëndrrën e
jetës së tij, domethënë për t'u bërë mbret. Në Qërshor 1928, me shtytjen e tërthortë të
Zogut, dy dhomat legjislative (parlamenti e senati) vendosën se gjoja ishte i
nevojshëm një rishikim i përgjithshëm i Statutit të Republikës për t'i bërë disa
plotësime. Mbasi Statutin s'mund t'a rishikonte veçse një asamble kushtetonjëse, dy
dhomat legjislative, porsa muarën atë vendim, e quajtën vehten të shpërndarë. Zogu,
me anën e një dekreti, shpalli menjëherë zgjedhjet e reja për Asamblenë
Kushtetonjëse, e cila do të bënte rishikimin e Statutit. Zgjedhësit e dytë të disa
nënprefekturave, kur vajtën të votonin për antarët e Asamblesë, u detyruan prej
nënprefektavet që të kërkonin ndërrimin e regjimit prej republike në mbretëri, me
Zogun si mbret. Komedia ishte pregatitur aq mirë, sa që zëri i parë dolli nga
nënprefektura e Skraparit. "Ai do të bëhet që do të bëhet", iu tha nënprefekti
zgjedhësave të dytë që po shikonin njëri-tjetrin në heshtje, "por më mirë kërkojeni
edhe ju, që të mos ju vijë ndonjë bela mbi kokë... se ashtu e kam urdhërin". Disa nga
zgjedhësit e dytë po mendohëshin akoma kur telegrami u hoq për në Tiranë se
"populli" i Skraparit e kërkonte Zogun mbret. Ashtu ngjau edhe nëpër krahina të tjera.
Kur u mblodh Asambleja Kushtetonjëse me deputetët e rinj, të cilët s'ishin veçse ata të
vjetërit, nuk hoqi shumë mundim për rishikimin e Statutit, sepse drejtimin ia kishte
treguar... "populli !". Kështu, më 1 Shtator 1928, shpalli Mbretërinë Shqiptare, dhe
Ahmet Zogu mori emrin Zog I, Mbret i Shqiptarëvet.

Kryetar republike apo mbret, Zogu sundoi në të njëjtën mënyrë, dhe regjimi i tij mbeti
personal, i ngrehur me njerëz që s'kishin asnjë parim përveç interesit të tyre.
Ndryshimi ishte se buxhetit të varfër të Shqipërisë iu ngarkuan tani shpenzimet e
rënda të salltanetit mbretëror, me oborrin theatror me një varg princash e princeshash,
me uniforma të ndritura, e sidomos... nuk ka mbret pa një sigurim pasurish të mëdha.

Në dukje, Mbretëria mbeti kushtetutore, dhe parlamenti përbëhej prej dhomës së


deputetëvet, mbasi senati u suprimua. Në të vërtetën, "zgjedhjet" ishin një komedi e
mërzitshme, se listën e "deputetëve të gishtit" e ndreqte Zogu vetë me Ministrin e
Punëve të Brendëshme. Populli i quajti "deputetë të gishtit" sepse ishin vetëm sa për
të ngritur gishtin dhe për të bërë amin vendimet e qeverisë.

Mbasi i mënjanoi disi bejlerët, Zogu u rrethua me njerëz të çdo kategorie, dhe krijoi
vegla të reja prej borgjezisë, si Musa Jukën (ose Musa Efenija, siç e quanin
Shkodranët), të cilin e mbajti ministër të Punëvet të Brendëshme pothuajse për tërë
kohën e regjimit të tij. Musa Juka i mbushi kafenetë me spiunë, se nuk njihte tjetër
mënyrë qeverimi përveç asaj të kohës së Sulltan Hamitit. Të tjerë "besnikë" që Zogu i
mbajti gjer në fund ishin Koço Kota, Abdurrahman Dibra, Hiqmet Delvina, e shumë
dallkaukë që iu ngjanin këtyre. Por ai që e karakterizon regjimin e Zogut ishte një farë
Abdurrahman Sali, nga Mati, ose Lalë Krosi, siç e quanin Shqiptarët, i cili u bë me të
vërtetë Rasputini i Shqipërisë. Njeri i korruptuar dhe i të gjitha vesevet, por shumë i
zgjuar, kishte qënë shërbëtor në familjen e Zogollit, në Mat, dhe nuk dinte shkrim as
këndim. Këtë Zogu e përdorte për intrigat e fshehta të vendit, për komplotet, atentatet,
shpërdorimet, dhe sidomos për ndërlidhjet me krerët e malësivet, të cilët Lalë Krosi i
pajtonte ose i vinte kundër njëri-tjetrit, sipas nevojës. Si pozitë zyrtare, Lalë Krosi
ishte gjithmonë deputet i Matit, por mbasi përzjehej në të gjitha punët dhe fjala e tij
ishte fjala e Zogut, e kishin frikë të tërë dhe i përulëshin. Ky vuri pasuri të mëdha,
sepse kishte gisht në të gjitha sipërmarrjet, vjedhjet e abuzimet.

Me fjalën "përparim" kuptojmë zhvillimin e një populli n'anën ekonomike dhe


kulturore, drejt mirëqenies dhe lumtërisë. Por s'mund të ketë përparim pa një bazë
drejtësie dhe nderim vleftash morale. Regjimi i Zogut ishte i xhveshur nga këto dy
cilësi. Pasi vrau disa nga shtyllat e nacionalizmit shqiptar, si Luigj Gurakuqin dhe
Bajram Currin, Zogu nuk mund të pështetej në vleftat e vërteta kombëtare, sepse edhe
ai vetë nuk ishte i asaj natyre. Prandaj s'mund të sundonte veçse me anën e
korrupsionit dhe të policisë, duke përdorur herë paranë dhe pozitat, herë vrasjen dhe
dënimet, sipas rastevet, dhe duke urdhëruar prej pallatit pa ardhur kurrë në kontakt të
drejtpërdrejtë me popullin. Nuk mund të pritej që regjimi i tij, i mbajtur me kleçka dhe
me huan e Italisë, dhe i ngrehur me njerëzit më të dobët që mund të mendohej, t'a
nxirte vendin nga prapambetësia shekullore e t'a vinte në rrugën e përparimit. Kështu,
gjatë asaj periudhe, Shqipëria nuk mundi të ngrihej lart as n'anën ekonomike, as
n'anën kulturore.

N'anën ekonomike, puna duhej nisur me zhvillimin e bujqësisë dhe t'industrisë, me


ndreqje rrugësh e ndërtime të ndryshme. Si pikënisje e zhvillimit bujqësor duhej
t'ishte reforma agrare, pastaj bonifikimi i tokavet, tharja e kënetavet, disiplinimi i
lumenjvet, pyllëzimi i vendevet të xhveshura, futja e teknikës moderne, krijimi i
bankës bujqësore për t'a shpëtuar fshatarësinë nga thonjtë e fadexhinjvet që e
shtrydhnin me një interes prej 50% gjer më 100%, krijimi i organizatavet bujqësore
për t'a shpëtuar fshatarin prej matrapazëve e spekulatorëve që ia blinin drithin me
çmim t'ulët në vjeshtë dhe ia shisnin dyfish në Prill, Maj e Qërshor. Kurse për
zhvillimin e industrisë duhej shtytur vënia në punë e kapitalevet duke krijuar besimin,
duhej përkrahur e mprojtur industria kombëtare kundrejt konkurencës së huaj.

Askush nuk e padit regjimin e Zogut se përse nuk u bënë të gjitha këto, se këto nuk
bëhëshin me frymë dhe në një periudhe kohe aq të shkurtër. Por pse nuk u tregua
asnjë kujdes, asnjë nismë, asnjë vullnet i mirë në këtë drejtim. Gjithashtu, pa një
ndihmë teknike dhe financiare të jashtëme nuk mund të ndërtohej asgjë në Shqipërinë
e atëhershme. Po përse huaja që u muar prej Italisë u shpërdorua n'atë mënyrë.

Kur u nënshkrua huaja me Shoqërinë SVEA, ishte parashikuar që gjysma e saj të


shpenxohej për zhvillimin e bujqësisë, tharje kënetash, bonifikime, hapje kanalesh
vaditëse etj., dhe gjysma tjetër për ndërtime botore: rruga, ura, shkolla, spitale, e
kështu me radhë. Për bujqësinë nuk u shpenxua as një e dhjeta e shumës së
parashikuar, kurse n'anën e punëvet botore u ndërtuan disa rrugë e ura që iu
përgjigjëshin qëllimevet strategjike t'Italisë në drejtim të së famshmes Via Egnatia të
Romës së vjetër. U ndërtua edhe limani i Durrësit, gjithmonë për nevojë shkarkimesh
të gjera t'Italisë në Shqipëri. Pjesa tjetër e huas së SVEA-s u përdor për të mbajtur
burokracinë dhe salltanetin e Zogut, ushtërinë dhe "kreshnikët", për të ngrehur pallatet
e ministrivet e të tjera punë si këto. Duhet shënuar se Italianët bënin çmos për t'a
penguar mëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, e cila mandej mund t'iu delte prej dore.
Ata donin që shteti shqiptar, i shtrënguar prej nevoje, të mbetej i varur tek Italia gjersa
kjo t'a fuste vendin plotësisht nën sundimin e saj.

Në një mesazhë që i drejtonte parlamentit, në Dhjetor 1928, Zogu desh t'a zbukuronte
fronin mbretëror me premtimin e një reforme agrare. Pas shumë demagogjie, dredhish
e shtrembërimesh, "ligji i reformës agrare" u dekretua më në fund më 3 Maj 1930. Por
mënyrat e parashikuara prej ligjit nuk i dëmtonin fort pronarët, të cilëvet iu merrej
vetëm pjesa e tepërt pas disa llogaritjeve të bëra në dobi të tyre, përveç që do t'iu jepej
edhe për atë një farë shpërblimi. Mandej kishin lirinë t'i ndanin ose t'ua bënin shitje
tokat antarëvet të familjevet të tyre, që kështu të prekëshin sa më pak prej reformës
agrare. Më në fund, ndërlikimi i ligjevet, mungesa e organizimit dhe e mjetevet nga
ana e bujqvet, vullneti i keq që tregonin organet qeveritare ku mbizotëronin pronarët,
bënë që reforma agrare të mbetej si një ndarje lëmoshe. Vetëm nja dy mijë familje,
shumica prej emigrantësh kosovarë, mundën të merrnin nga një copë tokë në Myzeqe,
pjesërisht prej çifliqeve të shtetit.

Si ndërmarrje industriore, nisën të formohëshin disa shoqëri aty këtu pas vitit 1925,
kur lidhjet ekonomike me Italinë dhe krijimi i Bankës Kombëtare iu dhanë një farë
besimi kapitalistëvet shqiptarë se gjendja e brendëshrne do t'ishte e qëndruarshme. U
formuan në Korçë një shoqëri e elektrikut dhe një tjetër e prodhimit t'alkoolit, si edhe
një ndërmarrje për tharjen e liqenit të Maliqit. Në Durrës, u organizua shoqëria e
duhanit dhe e fabrikimit të cingarevet "Stamles". Në Tiranë, u formua më 1927
shoqëria industriore-tregëtare SITA, n'Elbasan shoqëria SAIDE e duhanit dhe e
cingarevet, në Shkodër u ngrit një fabrikë çimentoje. Disa ndërmarrje të vogla
vazhduan të hapëshin edhe pastaj, por këto nuk çonin peshë n'ekonominë e
përgjithshme të vendit. Ato që përparuan më shpejt qenë shoqëritë italiane, të cilat
kishin kapitale e mjete teknike më shumë se Shqiptarët. Gëzonin gjithashtu të drejta e
kushte të favorshme nga ana e shtetit, sepse njerëzit e regjimit qenë kthyer n'agjentë të
kolonializmit italian. Shoqëritë italiane kishin jo vetëm sipërmarrjet e ndërtimevet
botore, por depërtuan edhe në degë të ndryshme t'ekonomisë dhe deri në monopolet e
shtetit. Një rast që bëri shumë bujë ishte ai i Shoqërisë AGIP, e cila mundi të merrte
koncesionin e monopolit të vajgurit dhe të benzinës. Pastaj shpërdorimet e saja bënë
skandal.

Një plagë e pambyllshme për ekonominë shqiptare ishte deficiti tregëtar ndërmjet
importimevet dhe eksportimevet. Mbasi, përveç artikujve t'industrisë dhe disa lëndëve
të para, Shqipëria duhej të sillte shpeshëherë edhe drithë nga jashtë, ndryshimi
ndërmjet të hyravet dhe të dalavet mbeti vazhdimisht prej një me dy, deri një me
katër, domethënë vendi importonte dy, tri ose katër herë më shumë se sa eksportonte.
Kriza ekonomike e Shqipërisë arriti kulmin ndërmjet vjetëvet 1929-1934, pikërisht në
periudhën e krizës më të madhe që njohu bota perëndimore midis dy Luftavet.
Tregëtia bëhej pothuajse 80% me Italinë, por kjo nuk i blinte të gjitha prodhimet
bujqësore e blegtorale që mund t'eksportonte Shqipëria. Nga ana tjetër, Banka
Kombëtare, që e kishte qendrën në Romë dhe drejtohej prej Italianësh, jo vetëm që
bënte lloj lloj spekulimesh, por me manevrat e saja shkaktoi që të delte ari në
qarkullim, për t'a mbledhur ajo vetë dhe për t'a hequr n'Itali. Prej vitit 1929 filloi rënia
e tregëtisë dhe ulja e çmimevet, sidomos mallrat e vendit ranë fare përdhe. Pjesën më
të madhe t'eksportimevet të Shqipërisë, lart nga 60%, e përbënin produktet blegtorale.
Por këto s'po gjenin treg përjashta, se Italia e kufizoi blerjen e tyre. Kështu çmimet e
prodhimevet të vendit - prandaj edhe fuqia blerëse e popullit - ranë tepër poshtë. Dhe
mbasi elementet e një ekonomie ndërvaren nga njëri-tjetri, varfërimi i fshatarësisë dhe
ulja e fuqisë blerëse të saj solli vetvetiu varfërimin e zejtarisë dhe shkrehien e
tregëtisë. Prej vitit 1929 gjer më 1934, jo vetëm ndryshimi ndërmjet importimevet dhe
eksportimevet vjen duke u bërë gjithmonë m'i madh, po edhe tregëtia në përgjithësi
vjen duke rënë gjithmonë më poshtë. Më 1929, për shembull, vlefta e importimevet të
Shqipërisë arrinte në 38,5 milionë franga ari dhe ajo e eksportimevet në 15,5 milionë.
Më 1930, vlefta e importimevet kapej rreth 33,5 milionësh dhe ajo e eksportimevet
rreth 12,5. Më 1931, eksportimet ranë në 7,5 milionë franga ari, kurse importimet
qenë 29,5 milionë. Vitin tjetër pati një rënie më të madhe akoma: eksportimet zbritën
në 4,5 milionë, kurse importimet qëndruan rreth 23 milionësh. Kjo rënie e tregëtisë së
jashtëme dhe ky ndryshim ndërmjet importimevet dhe eksportimevet vazhdoi edhe për
disa vjet akoma. Krahas me deficitin tregëtar qëndronte deficiti i buxhetit shtetëror, i
cili plotësohej gjithmonë me huan e Italisë. Kështu, huaja e Shoqërisë SVEA, që ishte
marrë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, nisi të përdorej për të mbushur vrimat e
buxhetit të shtetit, domethënë për të mbajtur administratën, ushtërinë dhe salltanetin
mbretëror.

Pikërisht për të mbajtur këto, mbasi huaja e Italisë nuk mjaftonte, dhe mundësia e
mbledhjes së taksavet të drejtpërdrejta, në vend, u kufizua tepër, shteti u vu t'a
shtrydhte popullin me anën e taksavet të zhdrejta, duke ngritur monopolet mbi artikujt
e nevojavet të para, si kripë, duhan, shkrepëse, vajguri etj., dhe duke i shtuar taksat
doganore. Kështu katundarit i ripej lëkura pa mëshirë, sepse s'kishte asnjë krahasim
ndërmiet çmimevet t'artikujvet që ai shiste dhe t'atyre që ai blinte. Njerëzia s'kishin
t'iu hidhnin kripë bagëtivet dhe e hanin darkën në terr se s'mund t'a paguanin dot
vajgurin. Fëmijët e fshatarëvet nuk e njihnin kokrrën e sheqerit. Nuk shihnje veçse
fytyra të zbeta dhe njerëz të rreckosur si mos më keq.

Mjerimin ekonomik t'atyre 14 vjetëve e tregon vetë gjendja demografike e Shqipërisë,


e cila mbeti e palëvizur rreth një milioni frymësh. Vdekësia e fëmijëvet ishte e
hatashme, dhe disa nga sëmundjet më të përhapura, si oftika e malaria, bënin kërdi.
Mbi këtë mjerim të përgjithshëm, ngriheshin me elegancë vilat e njerëzve të regjimit,
dhe të shtypnin veturat e tyre ndërmjet Tiranës dhe plazhës së Durrësit. Në shërbim të
kapitalit italian dhe duke u shoqëruar me disa spekulatorë nga borgjezia, këta, shtinë
në dorë të gjitha burimet ekonomike të vendit. Kishnje përshtypjen se shteti ishte
diçka për t'u shfrytëzuar, për të paguar rroga, për t'u rjepur nga ata që e drejtonin, dhe
jo për të krijuar, për të mirësuar jetën e popullit. Zogu interesohej sidomos për
mbajtjen e qetësisë, domethënë për administratën dhe forcat e armatosura; të tjerat
ishin gjëra të dorës së dytë për të. Ministria e Ekonomisë s'ishte tjetër veçse një
burokraci njerëzish të papunë që shkonin kohën duke bërë statistika të thata dhe duke
pirë duhan e kafe. Shumë ministri të tjera nuk ishin më aktive nga kjo. Buxheti i
shtetit shpenxohej në pjesën më të madhe për ushtërinë, administratën dhe pallatin
mbretëror. Nganjëherë bëhej demagogji shifrash kur caktohej buxheti në fillim të vitit
financiar, duke iu lënë ministrive t'Arësimit dhe t'Ekonomisë Kombëtare shuma jo
edhe aq t'ulëta. Por më vonë bëhej një transferim fondesh, në mënyrë të
pazhurmshme, prej buxhetit të këtyre dikastereve n'atë t'ushtërisë dhe t'"Institutevet të
Larta", ku hante me lugë të madhe pallati mbretëror.

Edhe kur merrej ndonjë nismë për të bërë "punë të mëdha", përfundonte si kanali i
Kavajës. Shteti ndërmori ndërtimin e një kanali për të vaditur fushën e Kavajës me
ujët e Shkumbinit. Por, kur ish bërë gjysma e punës, u vu re se toka nuk kishte
pjerrësinë e duhur për të lejuar rrjedhjen e ujit nëpër kanalin. Atëhere ndërmarrja u
braktis, pasi humbën 3 milionë franga ari. Si mund të shpjegohej një gabim i tillë me
mjetet teknike të kohës për matjen e pjerrësisë? Nga pazotësia e inxhenjerëvet
shqiptarë? Nga sabotimi i inxhenjerëvet italianë? Gjuhët e liga flisnin se ndërmarrja
ishte nisur me këmbënguljen e Abdurrahman Krosit për të vaditur tokat e këtij në
fushën e Kavajës!...

Lart nga 40% të buxhetit të shtetit (i cili pat qënë ndërmjet 25 e 32 milionë franga ari
në vit) shpenxohëshin për ushtërinë, që s'vlejti dhe s'mund të vlente për asgjë tjetër
veçse për të kënaqur dëshirën megalomane të Zogut për uniforma e parada. Pastaj
korrupsioni dhe abuzimet ishin ngjarje të përditshme, por skandalet mbyllëshin kollaj
kur bëhëshin prej "besnikëvet". Mbasi Zogu ishte fort i interesuar pas kapitalevet dhe
grumbulloi për vehte shuma tepër të mëdha prej huas s'Italisë dhe t'ardhuravet të
vendit, nuk mund të ndalonte të tjerët që të mos bënin po ashtu. Shteti u kthye në
"pronë private" të njerëzve të regjimit. Këta nisën të shisnin edhe nëpunësitë, ose të
krijonin nëpunësi të panevojshme për farefisin e tyre. Kjo mënyrë abuzimi u bë zakon
sidomos në kohën e krizës së madhe, kur papunësia erdhi duke u shtuar, kur çmimi i
mallravet të vendit ra përdhe, kur tregëtarët po falimentonin njëri pas tjetrit dhe
tregëtia zuri të mblidhej në disa duar; në duart e atyre që kishin ortakëri me njerëzit e
regjimit, në monopolet, në kontrabandat doganore ose në sipërmarrjet e shtetit.
Atëhere tregëtarë të falimentuar e njerëz të papunë i kishin sytë të gjithë tek arka e
shtetit për ndonjë nëpunësi. Vetëm kjo kishte mbetur si i vetëmi burim, si e vetëmja
shpresë për ata që s'kishin se ku të përpiqëshin gjëkundi, dhe numri i të cilëvet shtohej
përditë e më tepër. Po edhe arka e shtetit mbahej sidomos me thërrimet e huas italiane.
Nëpunësit kishin zakonisht nga pesë a gjashtë rroga brenda. Kur Italia e pezullonte
huan - për të bërë presion sa më shumë mbi qeverinë e Tiranës - pat qëlluar që disa
nëpunës mbetëshin edhe tetë muaj pa rrogë. N'ato raste, pagesa iu bëhej m'e rregullt
atyre që kishin në dorë administratën dhe fuqitë e armatosura. Kurse nëpunësit e
degëvet të tjera, sidomos n'Arësim, shtrëngohëshin shpeshëherë t'ua shisnin rrogat me
kambiale disa pasanikëve që përfitonin. Për fshatarin ishte një ëndërr që të shkruhej
"xhandar"; po edhe këtë shkallë s'mund t'a arrinte aq lehtë pa i dhënë në disa raste dy-
tri rroga ryshfet ndonjë "deputeti".

Merret me mend se sa binte në sy dhe se ç'përshtypje mund të bënte në djalërinë


shkollare kontrasti ndërmjet kësaj gjendjeje dhe jetës tepër luksoze të njerëzve të
regjimit.

Ky kontrast dhe depërtimi përditë e m'i dukshëm i Italianëvet në jetën e vendit, pat
krijuar një frikë të përgjithshme se "po na merr Italia". Përveç në ndërtimet botore dhe
në disa degë t'ekonomisë, Italianët kishin ardhur si organizatorë t'ushtërisë dhe të
djalërisë paraushtarake, përpiqëshin të hynin n'Arësim, patën hapur disa shkolla
tregëtare dhe zejtarie. Ministri i Italisë në Tiranë, Ugo Sola, dhe kryetari i misionit
ushtarak italian, gjeneral Alberto Pariani, ushtronin një autoritet të dukshëm pranë
qeverisë shqiptare kur ishte puna për të mprojtur interesat e Italianëvet.

Për të qetësuar Shqiptarët, dhe ndoshta duke e kuptuar se kishte hyrë shumë thellë me
Italinë, Zogu nisi të merrte një qëndrim pak më të pavarur. Në Nëntor 1931, nuk
pranoi që të përsëritej nënshkrimi i paktit të "miqësisë dhe sigurimit", të cilit i
mbaronte afati n'atë vit. Por mbetej në fuqi traktati ushtarak i "aliancës mprojtëse", i
cili ishte për 20 vjet. Prandaj Italia, ndonëse e pakënaqur prej kësaj shtëmëngie të
Zogut, nuk e bëri çështje. Ajo e dinte që do t'a kishte në dorë për sa kohë që ky s'mund
të mbahej pa financat e asaj. Në vitin 1930 kishte pasur një deficit më të madh akoma
në buxhetin e shtetit Shqiptar. Tirana i ishte drejtuar Romës për një ndihmë më bujare.
Më 1931, qeveria italiane pranoi t'i jepte shtetit shqiptar nga ana e saj një hua prej 100
milionësh franga ari, me afat të gjatë dhe pa interes. Huaja do të jepej me këste nga 10
milionë franga ari në vit. Njëkohësisht qeveria e Romës duhej të merrte përsipër
detyrimet e shtetit shqiptar kundrejt Shoqërisë SVEA.

Mirëpo huaja prej 100 milionësh dhe pa interes fshihte pas qëllime më të rënda. Më
1932, Mussolini i propozoi Zogut bashkimin doganor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë,
përndryshe do t'i priste burimet financiare. Pak më vonë paraqiti të tjera kërkesa për
konçesione ekonomike, për një kontroll më të plotë mbi ushtërinë dhe financat e
Shqipërisë, për vendosje familjesh italiane në fushat bujqësore, për dëbimin e
organizatorëve anglezë të gjindarmërisë dhe zëvendësimin e tyre me instruktorë
italianë, dhe prishjen e çdo marrëveshjeje tregëtare me shtete të tjerë. Zogu nuk pranoi
asnjë nga këto propozime që kishin për qëllim t'a këthenin Shqipërinë në një krahinë
t'Italisë. Por marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet erdhën duke u ftohur. Për t'i bërë
ballë gjendjes së vështirë financiare, Zogu filloi t'i kufizonte shpenximet e ushtërisë.
Lidhi gjithashtu disa marrëveshje tregëtare me Jugosllavinë dhe Greqinë për të
kundër-balancuar presionin ekonomik t'Italisë. Por mjerisht, Jugosllavia dhe Greqia
mbanin të njëjtin qëndrim armiqësor kundrejt Shqiptarëvet, si gjithmonë. Pasi përzuri
në Turqi nja 60.000 Çamër, Greqia vazhdoi t'ua bënte jetën skëterrë atyre që kishin
mbetur, për t'i detyruar që t'iknin edhe ata. Në të njëjtën mënyrë sillej Jugosllavia
kundrejt Kosovarëvet, duke vrarë krerët e tyre dhe duke i shtrënguar fshatarët që të
shpërngulëshin. Më 1929, Serbët kishin vrarë Shqiptarin e kulluar At Shtjefën
Gjeçovin.

Në verën e vitit 1932, u zbulua edhe komploti ose lëvizja e fshehtë e Vlorës, ku bënin
pjesë disa nacionalistë, shumica prej atij qyteti, me qëllim që të rrëzonin, ose më mirë
të zëvendësonin Zogun, për të cilin mendohej se ishte shumë i sëmurë dhe mund të
vdiste. Një vit më parë, ky kish vajtur për t'u mjekuar në Vienë, ku i qe bërë edhe një
atentat prej të mërguarve politike. Komploti i Vlorës pasqyronte pakënaqësinë e
përgjithshme të Shqiptarëvet, shkaktuar prej gjendjes së brendëshme dhe ndërhyrjevet
t'Italisë. Por njerëzit që merrnin pjesë në të nuk ishin të gjithë element i saktë, dhe
kishte sigurisht ndonjë shtytje të jashtëme prapa perdesë. Pas zbulimit, komplotistët u
kapën dhe disa prej tyre u dënuan me burgim të rëndë.

Në Prill 1933, Zogu bëri shtetëzimin e shkollavet. Kjo masë kishte për qëllim sidomos
t'i vinte një kufi ndikimit italian në Shqipëri. Përveç shkollavet italiane dhe atyre të
Grekofonëvet, u mbyllën edhe ato të klerit katolik, në Shkodër. Greqia u ankua në
Lidhjen e Kombevet dhe çështja shkoi në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, i cili
vendosi kundër Shqipërisë. Kështu, pas nja dy vjetësh, kjo u detyrua t'ua hapte
shkollat përsëri Grekofonëvet. Kurse Italia zemërimin e saj e tregoi me ndërprerjen e
huas. Menjëherë pas shtetizimit të shkollavet, Zogu pushoi nga shërbimet lart nga 60
instruktorë ushtarakë italianë të cilët, bashkë me gjeneral Parianin, u larguan n'Itali.
Ftohja e marrëdhënievet me Italinë dhe pezullimi i huas e vështirësuan më shumë
akoma gjendjen ekonomike: nëpunësit mbetën pa rroga, disa ndërmarrje ndërtimesh
botore u ndërprenë, papunësia u shtua. Zogu desh të gjente një tjetër mhështetje dhe
provoi t'afrohej me Francën, kundërshtarja e Italisë. Po edhe ajo, për t'i dhënë një hua,
paraqiste kushte jo më pak të rënda nga t'Italisë fashiste. N'atë gjendje ekonomike ku
ishte katandisur Shqipëria, pas dhjetë vjet abuzimesh e shpenximesh të kota për
ushtëri e salltanete, nuk i kish mbetur asnjë rrugë-dalje. Mussolini desh të përfitonte
prej ngushticës së shtetit shqiptar dhe i vazhdoi presionet. Porsa mori vesh se Zogu
kish nisur përçapjet për t'u afruar me Francën, provoi t'a trembte me anën e forcës. Në
Qërshor 1934, një pjesë e flotës italiane e përbërë prej 22 luftanijesh erdhi e qëndroi
përpara Durrësit, pa i bërë asnjë paralajmërim qeverisë shqiptare. Zogu e kuptonte se
n'atë kohë Italia nuk ishte në gjendje të prishte ekuilibrin në Mesdhe, prandaj nuk u
tremb nga ato profka. Iu drejtua Anglisë dhe Francës, të cilat i kërkuan shpjegime
Italisë. Më në fund çështja u rregullua miqësisht dhe flota italiane u tërhoq. Por
marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet mbetën akoma të ftohta me gjithë përpjekjet që
bëri qeveria shqiptare për t'i ndrequr. Mbasi shteti shqiptar s'kish mundur të krijonte
asnjë bazë ekonomike dhe arkat e tija ishin bosh, s'mund të mbahej më këmbë pa u
pështetur në ndihmën financiare t'Italisë.

Shqipëria nuk mori pjesë në Lidhjen Ballkanike, pakti i së cilës u nënshkrua n'Athinë
prej Greqisë, Turqisë, Jugosllavisë dhe Rumanisë, në Shkurt 1934. Dhe s'kish sesi të
merrte pjesë, mbasi pakti ballkanik kishte më fort një qëllim mprojtjeje kundrejt
Italisë fashiste me të cilën Shqipëria qëndronte e lidhur. Po edhe ky shkak sikur të
mos ishte, ndërmjet Shqipërisë, nga njëra anë, Jugosllavisë dhe Greqisë, nga tjetra,
kishte shumë vështirësi afrimi.

Më 1935, ngjau një trubullirë m'e bujëshme nga komploti i Vlorës, e cila u quajt
"kryengritja e Fierit". Kjo e tregoi më haptas akoma pakënaqësinë e përgjithshme
kundrejt regjimit Zogist. Sepse n'atë lëvizje ishin lidhur elemente të ndryshëm prej
gjithë Shqipërisë: nacionalistë të vjetër, djem të rinj enthusiastë, po edhe disa
komunistë, si edhe borgjezë e bejlerë të mëdhenj. Organizimi ishte bërë keq, me anë
pështëllitjesh vesh më vesh; shumë nga pjesëmarrësit nuk dinin se ku ishte kreu i
punës dhe çdo të bëhej pas përmbysjes së Zogut. Është e vështirë të besohet që të mos
ketë pasur edhe këtu shtytje nga jashtë, të paktën tek disa nga krerët e mëdhenj. Por
mbasi edhe kjo lëvizje kishte formë komploti, dështoi si të tjerat. Më 14 Gusht, ngriti
krye vetëm gjindarmëria e Fierit, e cila arrestoi nënprefektin dhe vrau gjeneral
Gilardin tek udhëtonte për në Vlorë. Me gjindarmërinë u bashkua një pjesë djemuri
dhe popull prej rrethit të Fierit. Në Skrapar u ngrit Riza Cerova, i cili ishte kthyer disa
muaj më parë prej mërgimit, ku qe bërë komunist. E shumta e atyre që ishin lidhur
gjoja me lëvizjen, nga borgjezia dhe bejlerët, nuk luajtën vendit. Kështu kryengritësit
e Fierit arritën vetëm gjer në Lushnje, dhe aty u thyen prej fuqivet qeveritare. Riza
Cerova desh t'arratisej në Jugosllavi, por u vra malevet. Kryengritja u shtyp brenda 24
orësh dhe u bënë shumë arrestime, sidomos në qarkun e Beratit dhe në rrethin e Fierit.
Disa nga të burgosurit u torturuan keq dhe shumë prej tyre u dënuan me vdekje e
burgime të rënda. Por u pushkatuan me njëherë, pa kaluar fare nëpër gjyq 11
gjindarmët e Fierit që kishin filluar kryengritjen. Kurse për të dënuarët e tjerë pati
ndërhyrje e protestime nga organizata ndërkombëtare të jashtëme e deri nga Lidhja e
Kombevet. Çështja bëri bujë në botë. Kështu Zogu u detyrua të mos e zbatonte
dënimin me vdekje për të tjerët "përveç 11 gjindarmëvet që ishin pushkatuar".

Kryengritja e Fierit e tronditi mjaft gjendjen e Shqipërisë përbrenda, aq sa Zogu


mendoi për një çast të ndërronte udhë. E mënjanoi skuadrën e vjetër dhe emëroi një
qeveri të re, "liberale", nën kryesinë e Mehdi Frashërit. Duke e marrë punën me
optimizëm siç e kishte zakon, Mehdi Beu premtoi se do të spastëronte administratën,
do t'a lironte popullin nga frika e gjindarmërisë "gogol" dhe do t'a bënte Shqipërinë
shesh me lule. Filloi të sillte disa njerëz të rinj nëpër pozita me rëndësi, desh
t'ekuilibronte buxhetin e shtetit dhe balancën e tregëtisë së jashtëme, por me se?
Sidoqoftë gjithkush nisi të merrte frymë më lirisht, shtypi filloi të shante "skuadrën e
vjetër" dhe të ngrinte Zogun me lëvdata gjer në qiell, disa djemuri vunë menjëherë në
qarkullim ideologjinë e "diktaturës së ndritur". Ky enthusiazëm ishte si një dehje e
përkohshme, dhe s'mund të shkonte gjatë për dy arësye: e para, as Zogu as regjimi i tij
s'mund të ndërronin natyrë, mbasi ishin ngritur dhe s'mund të mbahëshin veçse mbë
një sistem bajraktarist.E dyta, Shqipëria n'atë kohë ishte varfëruar aq fort përbrenda
sa që s'mund të mbahej pa një ndihmë financiare të jashtëme, dhe këtë s'mund t'ia
jepte veçse Italia, kundrejt konçesionesh të tjera ekonomike që mund të merrte.
Prandaj edhe Mehdi Beu s'gjeti dot rrugë tjetër përveç asaj që çonte në Romë.

Qysh përpara kryengritjes së Fierit, Zogu kish nisur t'i përulej përsëri Italisë, i
shtrënguar prej nevojave financiare. Në Shkurt 1935, Mussolini i dha qeverisë
shqiptare një ndihmë prej 3 milionësh franga ari për të plotësuar disi deficitin e
buxhetit. Pastaj i bëri edhe disa ndihma të tjera të vogla, por duke shtrirë përsëri
kontrollin mbi ushtërinë shqiptare. Në verën e atij viti, Tirana kishte nisur bisedimet
me Romën për t'u kthyer në miqësinë e mëparshme, duke lypur ndihma gjithmonë më
të mëdha. Bisedimet i vazhdoi dhe i përfundoi qeveria e Mehdi Frashërit, në Mars
1936. Sipas marrëveshjevet të reja që u nënshkruan më 19 t'atij muaji, Italia i jepte
Shqipërisë disa hua të tjera, i falte ato që i kish dhënë gjatë vjetëvet 1931-1932 në
bazë të huas së 100 milionëvet e cila u anulua, dhe pezullonte për pesë vjet detyrimet
e shtetit shqiptar kundrejt Shoqërisë SVEA. Por nga ana tjetër, e shtrinte më tutje
akoma kontrollin mbi ekonominë shqiptare dhe ruante pozita të privilegjuara në
tregëtinë: më të shumtat e importimevet Shqipëria do t'i bënte prej Italisë, kurse kjo
blinte vetëm disa lloje e sasi të kufizuara nga prodhimet shqiptare, nëpërmjet të
shoqërisë bujqësore-tregëtare italiane EIAA. Italia do të dërgonte përsëri organizatorë
ushtarakë dhe inxhenjerë për ndërtimin e disa rrugëve me karakter strategjik.
Parashikohej zgjerimi i skelës së Durrësit për t'a bërë të përshtatshme për shkarkime të
mëdha, në përputhje me planet strategjike t'Italisë.

Me këto marrëveshje të reja, gjendja financiare e regjimit të Zogut u përmirësua disi


përkohësisht, por dara italiane u shtrëngua më shumë akoma rreth Shqipërisë.

Kur Zogu zgjodhi Mehdi Frashërin për të formuar qeverinë, pati dy qëllime: për të
qetësuar gjendjen e brendëshme, mbasi Mehdi Beu shikohej si atdhetar liberal e
përparimdashës, dhe për t'ia ngarkuar këtij përgjegjësinë e marrëveshjevet të reja me
Italinë, si zëdhënës i rrymavet nacionaiste e përparimtare. Kur Mehdi Beu ia kreu këto
dy shërbime dhe Zogu, prej lidhjevet të reja me Italinë, e ndjeu vehten më të sigurtë,
nuk kish më nevojë të shurdhohej prej llomatitiesh "liberale" të cilat ai s'mund t'i
dëgjonte. Prandaj, me shtytjen e tij, parlamenti hodhi poshtë një projekt-ligj të
parëndësishëm të qeverisë duke mos i dhënë kësaj votëbesimin. Atëhere qeveria
e Mehdi Beut dha dorëheqjen, më 7 Nëntor 1936, dhe Zogu, duke ua prerë këngën në
gojë koristëve të "diktaturës së ndritur", solli në fuqi "skuadrën e vjetër": Koço Kotën,
Musa Jukën dhe shokët e tyre.

Në Maj 1937, Et-hem Totua, ish-ministër i Punëve të Brendëshme në qeverinë e


Mehdi Frashërit, ngriti krye në Delvinë e Gjirokastër, i mori këto dy qendra me
ndihmën e gjindarmërisë, si edhe Tepelenën, dhe iu nis Vlorës. Por u shpartallua prej
forcavet qeveritare dhe u vra. I vëllaj i tij, Ismeti, ideologu i "diktaturës së ndritur", u
kap, u dënua me vdekje dhe u var.

Më të shumët e kundërshtarëvet të Zogut, përbrenda, ose të pakënaqurit, shpresonin


tek t'arratisurit politikë përjashta, të cilët fantazia popullore i kishte idealizuar. Kurse
këta s'kishin asgjë nga cilësitë ose zotësitë që iu vishte aq bujarisht përfytyrimi i
popullit. Dhe e treguan më 1924 se sa vlenin. Kur e lanë Shqipërinë nga frika e Zogut,
u ndanë në dy-tri grupime. Pjesa e të rinjvet të Shoqërisë Bashkimi, me Fan Nolin në
krye, anoi nga komunizmi, nga Rusia sovietike, dhe formoi në Vienë, në Mars 1925,
Komitetin Nacional-Revolucionar, ose KONARE-n, siç u quajt shkurtimisht, nën
kryesinë e Fan Nolit. Këta hynë menjëherë në lidhje me Federatën Komuniste
Ballkanike dhe me Kominternin. Zunë pastaj të futëshin më çdo birucë ku kishte
punëtorë ose studenta shqiptarë përjashta për të bërë propagandë komuniste. Disa prej
tyre si Llazar Fundua, Sejfulla Malëshova, Riza Cerova etj., shkuan për haxhillëk në
Bashkimin Sovietik. Pjesa tjetër e të mërguarve politikë, "nacionalistë", "demokratë" a
thuaju si të duash, u ndanë më dysh sipas shtetit të jashtëm që zgjodhën për patron:
me Jugosllavinë ose me Italinë. Ata që zgjodhën Jugosllavinë dhe që paguhëshin me
rroga muajore prej kësaj, si Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj., formuan "Bashkimin
Kombëtar", me qendrën në Paris. Të tjerët që paguhëshin prej Italisë kishin në krye
Mustafa Krujën, agjentin e përhershëm të Romës. Këta ishin kthyer përgjithësisht në
politikanë kafenesh dhe i mbanin veshët përpjetë se kush po e përzinte Zogun prej
Shqipërie, Jugosllavia apo Italia, për t'i futur këta si bash-veqilë në Tiranë.

Po edhe KONARE-ja nuk i kishte punët fort mirë. U mundua ca kohë të mbante në
krye Fan Nolin, si një "figurë", por ky nuk para iu shtrohej parimevet politike. Kur
pati nevojë për të holla në një rast sëmundjeje, i kërkoi Zogut telegrafisht, pasi kishte
derdhur kundër tij gjithë ato sharje nëpër vjersha satirike. Këtu s'bëri ndonjë mëkat të
madh, sepse më mirë që i kërkoi Zogut se sa Jugosllavisë ose Italisë. Por m'e keqja
ishte se, mbasi iu lut Zotit ca kohë për Zogun I në kishat shqiptare t'Amerikës, disa
vjet më vonë, po n'ato kisha dhe përpara atyre besnikëve, krahasonte Enver Hoxhën
me Krishtin! Kështu e kishin këta shkrimtarë! A nuk u bë Faik Konitza me Esad
Toptanin, më 1913, sepse urrente Ismail Qemalin? Më pastaj, pasi derdhi edhe ai
shumë të palara kundër Zogut, u bë ministri i tij n'Amerikë.

Pra, pas ca kohe KONARE-ja u shkatërrua dhe vendin e saj e zuri "Komiteti i Çlirimit
Nacjonal", që kishte shpirt e zemër Halim Xhelon. Ky pati mundur të hynte fshehtazi
edhe në Shqipëri. Prej vitit 1929, "Komiteti i Çlirimit Nacjonal" bënte pjesë në
Komitetin e Federatës Komuniste Ballkanike. Nga komunistët shqiptarë në mërgim,
më të diturit ishin Sejfulla Malëshova dhe Llazar Fundua. Ky i dyti, mbasi e pa se
ç'ishte praktikisht komunizmi në Rusi, ndërroi pikëpamje dhe u kthye në Shqipëri, i
falur, disa muaj përpara pushtimit fashist, me qëllim që të bashkëpunonte me
demokratët në mprojtjen e atdheut dhe, natyrisht, në zhvillimin shoqëror, ekonomik e
kulturor të vendit. Ishte njeri i zgjuar, i çiltër në mendime dhe me kulturë të gjerë. Për
fat të keq, komunistët e kapën dhe e vranë më 1944. Halim Xhelua vdiq në një spital
në Belgjikë. Një nga ata që u bënë përhapësit e idevet komuniste në Shqipëri ishte Ali
Kelmendi, i cili u mundua të fuste farën e keqe më çdo birucë ku kishte ndonjë grupth
të vogël punëtorësh. Idetë komuniste, si një pështjellim i mjegullt, nisën të
përhapëshin edhe në djalërinë shkollare. Disa prej të rinjve shqiptarë, si Mehmet
Shehu, Asim Vokshi etj., shkuan prej Italie si vullnetarë në luftën civile të Spanjës, në
radhët e brigadës ndërkombëtare "Garibaldi", për të ndihmuar anën komuniste.

Ndërkaq, n'Evropë po ngjanin lëkundje. Në Gjermani, më 1933, kish ardhur në fuqi


Hitler-i me Partinë Nazi, që i theu njërën pas tjetrës konditat e traktatit të Versailles-
ës, bëri riarmatimin e Gjermanisë dhe krijoi një rrezik të vërtetë për Evropën. Mbasi
fashizmi e nazizmi ishin e njëjta "ideologji", filloi menjëherë afrimi ndërmjet Italisë
dhe Gjermanisë, që u bë fare i ngushtë me aliancën e nënshkruar ndërmjet dy
shtetevet, në Tetor 1936, dhe me krijimin e boshtit Berlin-Romë.

Duke menduar se i erdhi koha për të themeluar një perandori koloniale, Italia fashiste
sulmoi Abisininë në Tetor të vitit 1935 dhe e pushtoi në Maj 1936. Kështu Viktor-
Emmanuel-i III u bë edhe perandor i Ethiopisë. Mandej Italia erdhi duke e zgjeruar
veprimtarinë e saj në Ballkan. Në Mars 1937, ministri italian i Punëve të Jashtëme,
Galeazzo Ciano, i dhëndërri i Duce-s, bëri një vizitë në Belgrad dhe nënshkroi me
qeverinë jugosllave një pakt miqësie. E shtrënguar ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë,
Jugosllavia po shkëputej nga rrethi i politikës frënge për t'u afruar me Romën dhe
Berlinin. Ndërmjet Ciano-s dhe kryeministrit jugosllav, Millan Stojadinoviç-it, u
bisedua sigurisht edhe për çështjen e Shqipërisë. Duket se Jugusllavia nuk e
kundërshtoi, ose nuk kish fuqi t'a kundërshtonte, ndërhyrjen e mëtejshme t'Italisë në
Shqipëri, por, në rast të një pushtimi, donte edhe ajo pjesën e saj. Në verën e vitit
1937, u nënshkrua edhe një marrëveshje jugosllavo-turke, e cila përmbante
shpërnguljen në masë të Kosovarëvet për në Turqi. Por këtë pikë të marrëveshjes nuk
pranoi t'a zbatonte Qemal Ataturku.

Italia u përpoq të mbante një politikë miqësore edhe me Greqinë, ku ishte vendosur
diktatura fashiste e Metaksajt. Në këtë mënyrë, Mussolini po pregatiste pushtimin e
Shqipërisë.

Në faqet e mësipërme, kemi parë sesi veproi Zogu, sesi Shqipërinë e përdori më fort si
një mjet për ambicjet e tija dhe, bashkë me rrethin e vet të dobët, shtetin shqiptar e
përdorën si një pronë të tyren. Kemi thënë gjithashtu, në fillim të kësaj kaptine, se
Zogu, sikur të kishte qënë një udhëheqës i madh, i frymëzuar nga dashuria e krijimit
dhe e lartësimit të popullit shqiptar, mund të kish gjetur elemente për të formuar një
rreth të shëndoshë, se i tërë kombi nuk ishte një kalbësirë. Por mbasi Zogu nuk qëlloi i
asaj natyre, duhet thënë haptazi se as populli shqiptar, në tërësi, nuk ishte i asaj
lartësie sa të vetqeverisej me mënyrat demokratike që kanë zënë vend në botën e
qytetëruar të Perëndimit pas një evolucioni shumë të gjatë. E pamë sesi, prej vitit l9l3
e gjer me 1937, (përveç vitit 1920 ku Shqiptarët, nga frika e copëtimit, treguan një
solidarësi të vërtetë kombëtare) s'shihej as dëgjohëj tjetër veçse trubullime,
kryengritje, çohu ai kundër këtij, pikërisht si në kohën e Turqisë, kur çdo krahinë, çdo
bajraktar, çdo kapedan, ishte një shtet më vehte. Prandaj, në kushte të këtilla, t'ia
hedhish të gjithë përgjegjësinë e fatkeqësivet kombëtare një njeriu të vetëm - dhe ky
njeri të jetë Zogu - nuk na duket gjykim historiani. Zogu ka përgjegjësitë e tija, po
edhe kombi shqiptar, në përgjithësi, kishte mungesat e tija, të cilat nuk ishin më të
vogla. Dhe mbasi çdo populli i vjen një regjim pas kokës sikurse çdo njeriu që i vjen
një kësulë, duket se populli shqiptar në tërësi, nuk ishte i pjekur për një regjim më të
mirë. Dhe kjo jo për mungesë energjie, zgjuarësie e cilësish morale, po për shkaqet
historike që kemi treguar gjatë këtij studimi. Shqiptarët, në përgjithësi, kishin mbetur
ndoshta populli më anarkik i Evropës, popull që s'pranonte asnjë autoritet shtetëror,
dhe botëkuptimi i të cilit me shumë vështirësi mund të delte përtej rrethit të krahinës
të fisit a të bajrakut. Kujtonin se qeveritë dhe regjimet politike duhëshin ndërruar sipas
fantazisë së secilit, me aq lehtësi sa ç'mund të ndërrohet këmisha. Çdo bajraktar që
çonte më këmbë 300 veta, çdo oficer që mund të bënte me vehte 20 gjindarmë,
kujtonte se ishte mjaft i fortë për të marrë në dorë Tiranën dhe shtetin. Dhe gati të
gjitha ato që kemi quajtur "kryengritje" kanë qënë të kësaj natyre. Kjo papjekuri
politike, kjo gjendje fatkeqe e atij populli të mjerë, pas zogizmit, solli komunizmin.
Prandaj, përveç përgjegjësivet historike që Zogut mund t'i ngarkohen edhe prej
brezavet t'ardhshëm, kur të jenë shuar pasionet e kohës sonë, le të shikojmë nëse
regjimi i tij mund të ketë pasur edhe ndonjë anë pozitive.

Ana pozitive e regjimit të Zogut është se, mirë, keq, gjatë atyre 14 vjetëve i dha
Shqipërisë formën e një shteti të përqendruar, me një administratë të rregullt dhe me
një gjindarmëri t'organizuar mirë, e detyroi një pjesë të Shqiptarëvet t'iu nënshtrohej
ligjevet, dhe, me anën e ca rrugëve që u ndërtuan (qoftë edhe për interesat strategjike
t'Italisë), me ca shkolla që u hapën, me shërbimin ushtarak të detyruar, me
pjesëmarrjen e Shqiptarëvet të çdo feje e të çdo krahine në vepërimet e ndryshme të
bashkësisë shtetërore, u krijuan lidhje kombëtare më të forta, u ngul në mendjen e
gjithkujt se Shqipëria duhej të përbënte një tërësi, si shtet i pavarur. Administrata
shtetërore e qiti jashtë ligjit zakonin e ahmarrjes dhe të mbajtjes s'armëvet; u vu kudo
një farë disipline. Me gjithë kryengritjet që u bënë njëra pas tjetrës, qetësia u mbajt
mirë, sepse Zogu ishte i zoti për atë punë. Por nuk mund të thuhet se ky rregull
mbretëroi më çdo anë të Shqipërisë. Administrata e përqendruar pati fuqi pothuajse
vetëm nëpër ato krahina që ishin mësuar deri diku të njihnin autoritetin e shtetit.
Kurse në disa malësi të veriut qetësia u mbajt duke iu paguar rroga "kreshnikëvet", të
cilët shpeshëherë ishin qeveri më vehte nëpër krahinat e tyre, vrisnin për gjaqe e punë
të tjera sa iu donte zemra, dhe nëpunësit e administratës shtetërore qëndronin n'ato
vise si "jallan shahitë". Për t'i dhënë Shqipërisë tiparet e një shteti evropian, Zogu vuri
në fuqi kodin penal sipas atij t'Italisë, në Jenar 1928, kodin civil sipas ligjevet
napoleoniane, në Prill 1929, dhe kodin tregëtar sipas modelevet të Francës dhe
t'Italisë, në Prill 1932.

Ndonëse gjatë regjimit të Zogut u krijuan, siç thamë, lidhje kombëtare më të forta,
n'anën shoqërore dhe të mendimeve politike kundërshtimet u acaruan më shumë
akoma ndërmjet së vjetrës dhe së resë,ndërmjet përfitonjësve dhe të shfrytëzuarve,
duke sjellë një pështjellim ndjenjash e idesh, nga i cili s'mund të delte veçse
komunizmi.

Në fushën e kulturës dhe t'arësimit, nuk mund të thuhet se s'u bë asgjë gjatë regjimit të
Zogut, por mjerisht jo aq sa duhej dhe sa kishte mundësi të bëhej. U hapën disa
shkolla të mesme e qytetëse, si edhe një numër filloresh, për djem e vajza, por më të
shumët e katundevet nuk kishin. Mungonin gjithashtu librat shkollore, të cilat
hartohëshin dhe shtypëshin me një rithmë të ngadaltë. Arësimtarët përgjithësisht
punonin mirë dhe mundohëshin të bënin dicka, por mungonte shtytja, ndihma e shtetit
dhe organizimi. Me shtrirjen që kanë marrë degët e ndryshme të diturisë në kohët
tona, nuk mund të bëhet gjë e madhe pa një punë t'organizuar dhe të drejtuar prej
institutesh të larta kulturore. Dhe mbasi këto institute mungonin në Shqipëri, atë
nismë duhej t'a merrte shteti. Duhej themeluar pikësëpari një institut i lartë
albanologjie, për të hedhur bazat e kulturës kombëtare n'anën e gjuhësisë, të letërsisë,
të historisë, për të hartuar librat shkollore të degëve të ndryshme të diturisë, për t'a
ngritur mendimin shqiptar në rrafshin akademik. Sigurisht, për këtë lloj pune duhëshin
mjete, dhe shteti shqiptar nuk ishte i pasur. Por në krahasim me shpenximet e kota që
bëhëshin për ushtërinë, për lukse e salltanete, kjo punë edhe kish për të kushtuar më
pak, edhe do t'ishte fort e dobishme. Se s'mund të ketë kombësi pa një shpirt
kombëtar, dhe s'mund të ketë shpirt kombëtar pa një kulturë të lartë kombëtare që të
qëndrojë në gjuhën e mëmës, në një gjuhë të punuar me kujdes, ku të derdhet me një
rrjedhje të natyrshme i tërë thesari i fjalëvet dhe i shprehjevet t'ëmbëla të saj. Ndjenja
e së mirës, përfytyrimi i së bukurës, mendimet e larta, nuk mund të thithen e të
zhvillohen plotësisht veçse nëpërmjet të gjuhës amtare. Duke mos pasur shkolla të
larta, shteti dërgonte disa studentë me bursë nëpër universitete t'Evropës. Bursat
jepëshin zakonisht me anësi për farefisin e njerëzvet të regjimit, dhe rrallëherë
bazohëshin në zotësinë e studentëvet.

Sa për krijimet letrare gjatë regjimit të Zogut, u botuan disa gjëra të këndshme dhe u
tregua një farë kujdesi për pastërimin e gjuhës, por nuk mund të thuhet se kemi
kryevepra t'asaj periudhe. Ndonëseletërsisë patriotike të Rilindjes i kishte kaluar
koha, disa shkrimtarë vazhduan akoma mbi ato thema, ose mbi thema të historisë
kombëtare, por pa iu dhënë dot këtyre kuptimin e kohës. Disa të rinj deshën
t'imitonin symbolizmin si edhe romantizmin e letërsive evropiane, me ca dashuri
melankolike e psherëtima në dritë të hënës. N'atë kohë, jeta familjare e shoqërore e
Shqiptarëvet paraqiste kundërshti (kontradikta) të përditshme ndërmjet mendësisë së
vjetër dhe idevet të reja, ku mund të merrëshin thema interesante për dramin dhe
romanxin. Por në këtë lëmë prodhimi nuk kemi veçse disa novela dhe ndonjë poezi
humoristike. Si letërsi të një karakteri shoqëror, kemi aty-këtu disa përshkrime të
skamit e të mjerimit ku rrihej e përpiqej populli i varfër, i shfrytëzuar prej
pasanikëvet. Ndonëse kjo mënyrë shkrimi frymëzohej prej ideve komuniste, i
përgjigjej së vërtetës n'atë kohë, dhe përmban ndjenja të prekshme. Por nuk pati
krijime me të vërtet origjinale, as n'anën e përfytyrimit të lartë artistik, as n'anën e
ngritjes s'idevet në një botëkuptim epëror me ngjyrimet e mendësisë së Shqiptarit.
Kështu mendimi i Shqiptarëvet, si gjatë shekujvet, mbeti rob i propagandavet të
jashtëme, dikur fetare, dhe tani "ideologjike". Me të vërtet Shqiptarët e gjorë, siç
ndahëshin dikur në të krishterë e myslimanë, nisën të frymëzohëshin tani ose prej
"ideologjisë" fashiste, ose prej asaj komuniste, pa e vrarë mendjen asnjë çast se që të
dyja këto s'ishin tjetër veçse propaganda imperialiste të disa fuqive të mëdha, të cilat
donin të hanin edhe Shqipërinë, siç u provua më vonë.

Zogu dhe rrethi i tij ndjenin një frikë instinktive kundrejt kulturës, mbasi kët' armë s'e
kishin ata vetë. Mandej e kuptonin ndoshta se mënyra e qeverimit të tyre nuk pajtohej
me idetë e reja që vinin prej kulturës së kohës. Prandaj nuk i dhanë një përkrahje me
shpirt zhvillimit kulturor të vendit, dhe çdo mendim të ri e quanin komunist. Por nuk
mund të thuhet se përdorën masa të rrepta për të penguar zhvillimin e kulturës ose për
t'imponuar një "ideologji", si në Gjermani, Itali e gjetkë. Ata ndaluan vetëm rrahjen e
lirë t'idevet politike, botimet e theorivet ose të propagandës komuniste dhe çdo kritikë
që mund t'i bëhej regjimit të Zogut.

Por këto masa ndalimi bënin efektin e kundërt, sepse idetë e reja gjenin gjithmonë
rrugë se nga të hynin, me anën e libravet të shkollës dhe nëpër kulturën evropiane
përgjithësisht, e cila depërtonte nga të gjitha marrëdhëniet me botën e Perëndimit.
Prandaj do të kishte qënë shumë më mirë sikur mendimet e reja t'ishin rrahur në dritë
të lirë, se sa të merrëshin në një mënyrë të rrëmujëshme, pa kritikë, prej grupthe
fanatikësh, nëpër biruca. Sepse idetë që thithen fshehurazi, merren gjithmonë
shtrembër.

Kishte mandej një kundërshti të dukshme, të përditshme, ndërmjet


abuzimevet orientale të regjimit, të cilat binin fort në sy në një vend të vogël si
Shqipëria, dhe idevet ose aspiratavet që brezit të ri i vinin prej kulturës perëndimore.
Kështu ndërmjet regjimit zogist dhe brezit të ri u krijua një hendek i
pakapërcyershëm, ishin si dy botë të ndara që s'i lidhte asnjë urë bashkimi. Shumica e
madhe e të rinjvet e kishin për turp të tregonin ndjenja simpathie për regjimin, deri
edhe një pjesë e atyre që ishin bij ministrash ose "besnikësh" dhe që përfitonin prej tij.
Ky ishte ndoshta dëmi m'i madh që i pruri regjimi i Zogut Shqipërisë dhe që pati, siç
do t'a shohim, pasoja të tmerrshme.

Nëse Zogu nuk u tremb nga demostrata e flotës italiane përpara Durrësit, në Qërshor
1934, punët kishin ndryshuar në Prill 1939. Hitleri e kish përmbysur ekuilibrin e
Evropës, me aneksimin e Austrisë më 13 Mars 1938, me copëtimin e Çekosllovakisë
në Shtator t'atij viti dhe me pushtimin e plotë të Bohemisë e të Moravisë, në Mars
1939. N'ato kushte, as Italia nuk mund të mbetej pa u shtrirë më ndonjë anë, sidomos
tani që nga veriu po ndjente peshën e Gjermanisë, e cila i kishte ardhur në Brenner.
Dhe ana nga mund të shtrihej, ishte Shqipëria. Tre muaj pas aneksimit t'Austrisë prej
Gjermanëvet u bë një takim i dytë ndërmjet Kontit Ciano dhe kryeministrit të
Jugosllavisë, Stojadinoviç-it, në Venetik, më 18 Qërshor 1938. Ky takim kishte për
qëllim të forconte miqësinë italo-jugosllave, domethënë të siguronte qëndrimin
mënjanë të Jugosllavisë në rast se Italia do të pushtonte Shqipërinë. Kryeministri
jugosllav ia përsëriti edhe njëherë Kontit Ciano se çështja e Shqipërisë nuk kishte një
rëndësi t'atillë sa të prishte marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shtetevet dhe se
Jugosllavia ia njihte Italisë pozitën e privilegjuar mbi atë vend. Por megjithatë,
kërkonte edhe për vehte një copë nga ana e veriut, nëqoftëse Italia do t'a pushtonte
Shqipërinë ushtarakisht. Për këtë qëllim u përqëndruan fuqi jugosllave rreth kufijve të
Shqipërisë dhe, në Shtator 1938, ministri i Jugosllavisë në Tiranë i njoftonte ministrit
shqiptar të Punëve të Jashtëme se, në rastin e një pushtimi të Shqipërisë nga trupat
italiane, duhej të merrte edhe Jugosllavia, për sigurimin e saj, disa krahina në veri.

Por me synimet e mëtejshme të Gjermanisë n'Evropën qendrore, Jugosllavia e ndjeu


vehten në rrezik ndërmjet fuqivet të Boshtit; dhe nisi t'a ulte ca më shumë qëndrimin e
saj kundrejt Italisë. Përpara se të pranonte planin e Kontit Ciano për një vepërim
ushtarak në Shqipëri, Mussolini u mendua fort, nga frika se mos i jepte shkak
Gjermanisë për të zbritur në Ballkan. Por në Jenar 1939 e ndau mendjen, dhe Konti
Ciano shkoi përsëri në Belgrad, ku qëndroi prej 18 gjer më 23 t'atij muaji, për t'a
biseduar çështjen më gjatë me kryeministrin jugosllav, Millan Stojadinoviçin. Sa për
Greqinë, Italia s'e fuste fare në llogari. Stojadinoviçi qëndronte gjithnjë në mendimin
se zgidhja m'e mirë e problemit të Shqipërisë do t'ishte copëtimi, siç shkruante Konti
Ciano. Jugosllavia kërkonte Shkodrën dhe malin e Taraboshit, kurse Italia i premtonte
asaj përkrahjen për të dalë në Selanik dhe ndonjë ndryshim të vogël në kufijtë e
Shqipërisë, duke i lënë natyrisht edhe dorë të lirë për të çkombëtarizuar Shqiptarët e
Kosovës. Selaniku ishte shumë tërheqës për Jugosllavinë, por mbetej gjithmonë si një
"premtim". Gjë që nuk e bindte Stojadinoviçin. Prandaj, kur ky dha dorëheqjen më 4
të Shkurtit dhe në Belgrad u formua një qeveri tjetër, Konti Ciano shkruante në
ditoren e tij: "Me Stojadinoviçin duhej t'a ndanim Shqipërinë, tash do t'a pushtojmë të
tërë, pa Jugosllavinë".

Nëse pengesa jugosllave mund të kapërcehej, mbetej gjithmonë frika se mos


Gjermania zbriste në Ballkan. Më 15 Mars 1939, Hitler-i e pushtoi të gjithë
Çekosllovakinë. Mussolini-t po i prishte gjumin çështja e Shqipërisë, duke e menduar
nga të gjitha anët. Por duket se vendimin e prerë e mori më 23 të Marsit 1939, kur
Gjermania e siguroi Italinë se Adriatiku dhe deti Mesdhe i mbetëshin kësaj. Në të
njëjtën kohë Mussolini pati një letër edhe nga kryeministri i Anglisë, Neville
Chamberlain-i, i cili i lutej pothuajse diktatorit italian që të ndihmonte për të krijuar
mirëbesimin ndërmjet fuqivet të mëdha dhe për të ruajtur paqen. Kjo letër bëri efektin
e kundërt sepse, siç shkruante Konti Ciano në ditarin e tij, tregonte dobësinë e
demokracivet dhe ia forcoi vendosmërinë Mussolini-t. Pas pak ditësh, Ambasadori
jugosllav në Romë e siguronte Kontin Ciano se Belgradi nuk i paraqiste kundërshtim
vepërimit italian në Shqipëri, vetëm kërkonte që ky vend të mos përdorej si një bazë
kundër Jugosllavisë.

Më 23 Mars, Italia nisi pregatitjet ushtarake për zbatimin e planit. Përqëndroi fuqi në
Pulje, nën kumandën e gjeneral Alfredo Guzzoni-t, dhe një skuadër të flotës në
Taranto. Njëkohësisht, vuri në lëvizje agjentët e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë për
të përdorur si vegla një pjesë Shqiptarësh, të cilët do të ndihmonin ndërmarrjen
ushtarake italiane dhe do t'i lutëshin me telegrame Mussolini-t që t'a çlironte vendin e
tyre nga regjimi i Zogut. Ministri i Italisë në Tiranë, Jakomoni, u ngarkua të pregatiste
një kryengritje bajraktarësh dhe shpërndau mjaft të holla djathtas e majtas. Kurse
përjashta, agjentët e fashizmit u vunë të fusnin në shërbim kundërshtarët e vjetër të
Zogut ose "heronjt" e 1924-ës, të cilët jetonin ç'prej 14 vjetësh me rroga të
Jugosllavisë dhe t'Italisë. Shërbimi i këtyre i vlente Italisë në dy drejtime: e para,
mund të mënjanonte rrezikun e një qëndrese me armë të popullit shqiptar dhe, e dyta,
me telegramet e këtyre, që mbushnin faqet e para të gazetavet, jepte përshtypien në
botën e jashtëme se ajo nuk vinte në Shqipëri si robëronjëse, por si "çlironjëse", e
thirrur prej Shqiptarëvet vetë. Jugosllavia porsa u bind se Shqipërinë po e pushtonte
Italia, ua preu rrogat politikanëve të "Bashkimit Kombëtar", Qazim Koculit, Ali
Këlcyrës e të tjerëve, që jetonin në Paris. Për t'i ngushulluar, shkoi menjëherë Mustafa
Kruja me premtime të reja... Dhe për t'i bashkuar të gjithë tok në shërbim t'Italisë këta
"nacionalistë", të cilët mund t'i bashkonte çdo i huaj por kurrë zëri i atdheut.
Shërbimet e fshehta italiane dërguan në Francë si kasnec kryeagjentin e tyre për
pushtimin e Shqipërisë, Ernest Koliqin. Gojtaria e këtij, e ambël si tringëllimi i arit,
qetësoi zemrat dhe pajtoi mendimet e papajtuarshme për të nënshkruar në Grenoble
një copë karte, me anën e së cilës i kërkohej Duce-s çlirimi i Shqipërisë nga regjimi i
Zogut, dhe ky i fundit të zëvendësohej me një princ prej Shtëpisë së Savojës. Të gjitha
pregatitjet ishin bërë siç duhej nga ana e Italianevet; deri edhe data e sulmimit të
Shqipërisë ishte caktuar pikërisht për n'ato ditë kur Zogu priste lindjen e një fëmije
dhe s'kish sesi t'arratisej me të shoqen shtatzënë n'orët e fundit ose lehonë. Kjo
rrethanë familjare mund t'a detyronte të dorëzohej.

Kur gjithëçka ishte në rregull, Italia i dha Zogut një notë, më 25 të Marsit, me disa
kërkesa të papranuarshme: shkarkim trupash italiane në Shqipëri për të pushtuar katër
skelat kryesore dhe pikat strategjike gjatë kufijvet bashkë me kontrollimin e rrugëvet
dhe të fushavet t'aviacionit; bashkim doganor dhe monetar ndërmjet dy shtetevet;
vendosje familjesh italiane në Shqipëri, sidomos nëpër fushat bujqësore, me të drejtë
blerjeje tokash dhe me të gjitha të drejtat e nënshtetasvet shqiptarë; sekretarët e
përgjithshëm të ministrivet t'ishin italianë etj. Natyrisht, Zogu nuk i pranoi këto
kërkesa që donin të thoshin këthim i Shqipërisë në një krahinë italiane. Por si njeri i
fshehtësisë dhe i komplotevet që ishte, u mundua t'a mbante çështjen fshehur disa ditë,
gjersa kjo plasi vetvetiu kur Italianët e përsëritën notën, me të njëjtën përmbajtje, më 2
të Prillit. Atëhere, më 3 Prill, i tërë kombi u trondit si një trup i vetëm dhe buçiti në
demostrata rrugëvet.

Ndonëse rrethi i dobët i "mbretit" anonte për një rregullim me Italinë për të mos pasur
andralla e për të ruajtur pasuri e pozita, Zogu vetë nuk mund t'i pranonte ato kushte,
sepse atëhere do të mbetej si i burgosur në duart e ushtërisë italiane. Siç e kishte
zakon në raste të këtilla, Zogu thirri për këshillim Mehdi Frashërin, i cili shikohej si
zëdhënës i rrymavet patriotike dhe mund të përmbante lëvizjen e madhe popullore që
të mos këthehej kundër mbretit. Mehdi Beu i foli popullit të mbledhur përpara Pallatit
duke treguar haptas se ç'kërkonte Italia dhe se ai e kishte këshilluar mbretin që të mos
i pranonte ato kushte. Në të vërtetën, Zogu dhe Mehdi Beu menduan që t'i
parashtrohëshin Romës disa kundër-propozime të cilat, në parim, nuk e kundërshtonin
shkarkimin ushtarak t'Italisë, por kërkonin që ky të bëhej në bazë të një marrëveshjeje
dhe brenda disa rregullave të caktuara. Po ashtu duhëshin kufizuar kërkesat në lidhje
me vendosjen e Italianëve në Shqipëri, me bashkimin doganor, me këshilltarët e
ministrivet etj. Ka shumë të ngjarë që këto kundër-propozime u bënë për të fituar
kohë. Sidoqoftë, qeveria shqiptare ia paraqiti ministrit t'Italisë në Tiranë mjaft vonë,
më 5 Prill, kurse ultimatumi mbaronte të nesërmen. Në pasdreken e 8 Prillit,
propozimet e notës italiane u hodhën poshtë edhe prej parlamentit. Zogu dërgoi Mehdi
Frashërin pranë ministrit t'Italisë në Tiranë, Jakomonit, për t'i kërkuar shtytjen e
ultimatumit dhe çiljen e bisedimevet, por çdo gjë kishte mbaruar. Mussolini kishte
thënë se bisedimet mund të bëhëshin me gjeneral Guzzoni-n, në Tiranë. Zogu kishte
dërguar edhe në Romë si ministër fuqiplotë për t'i rregulluar punët kryeagjutantin e tij,
gjeneral Zef Sereqin, të cilin duhej t'a kishte si njeriun më të besuar. Por ky u vu
menjëherë në shërbim t'Italianëvet, vetëm se "i duhëshin ca të holla", siç tregon Konti
Ciano në ditaren e tij. Po ashtu vepëruan prefekti i Durrësit dhe disa oficerë
t'ushtërisë. Shumë deputetë, ministra dhe titullarë të lartë që kishin lëpirë këmbët e
Zogut deri n'atë kohë, si Xhafer Ypi, kryeinspektor i Oborrit mbretëror, Eqrem
Libohova, ministër i Punëve të Jashtëme etj., u vunë menjëherë në shërbim
t'Italianëvet. Kjo provon se prej çfarë kalbësirash përbëhej regjimi i Zogut.

Mbasi nuk parashihte asnjë ndërlikim të jashtëm, se edhe kryeministri britanik,


Neville Chamberlain-i, në një deklaratë që bëri në Dhomën e Komunevet, tha se
Anglia nuk kishte ndonjë interes të veçantë në Shqipëri, Roma lajmëroi më 6 Prill
vetëm qeverinë jugosllave duke i njoftuar se po merrte disa masa ushtarake kundrejt
Shqipërisë për të mprojtur interesat e saja.

Ditët e para të Prillit 1939 kanë lënë një mbresë të pashlyershme në kujtesën e kombit
shqiptar. Gjithkush e paramendonte ndoshta se regjimi i Zogut ishte i dënuar të
mbaronte n'atë mënyrë mbasi nuk mund të mbahej pa ndihmën financiare të jashtëme
dhe nuk pështetej në një vullnet kombëtar të vërtetë. Por askujt s'i pat shkuar nëpër
mend se ata që kishin drejtuar deri atëhere kombin dhe shtetin shqiptar të tregohëshin
aq të dobët. Vetëm populli dhe djalëria buçitën në këmbë si një trup i vetëm dhe
kërkuan të gjithë të vdisnin, burra e gra, i madh e i vogël, për të mprojtur lirinë
kombëtare. Demostrata vigane shpërthyen si një valë e fuqishme në Tiranë, në Korçë,
në Shkodër, në Vlorë e kudo gjetkë. Populli, djalëria, s'kërkonin veçse armë, armë për
të mprojtur pavarësinë e atdheut. N'ato tri-katër ditë t'ethëshme, ku s'kishte gjumë, ku
shumica gëdhihëshin përjashta, u harruan të gjitha vuajtjet e ankimet kundrejt regjimit
të Zogut, dhe populli u tregua i tërë pas "mbretit", mjaft që ky të qëndronte.
Telegrame sigurimi i vajtën Zogut ngado, nga qendrat e demostratavet, nga djalëria,
nga qytetet dhe grupet e ndryshme duke i dhënë besën se do të luftonin të gjithë ndën
urdhërat e tija. Ndoshta s'ishte parë kurrë gjer atëhere një vetëdijë kombëtare, një
bashkim moral i atillë në popullin shqiptar.

Mjerisht, Zogu nuk u tregua i denjë për kaq besim. U dëftye njeri fare i rëndomtë dhe
pa asnjë rremb heroizmi. Duke pasur gjithmonë frikë nga populli lozi komedinë e
qëndresës sa për të gënjyer masat dhe për të pregatitur ikjen e tij. Që të përmbante
buçitjen popullore, bëri disa lëvizje trupash dhe hapi parullën se gjoja ai do të luftonte
me anën e ushtërisë së rregullt dhe se mobilizimi i përgjithshëm do të bëhej ca nga ca
sipas nevojës. U muar vesh se të gjitha këto ishin një dredhi dhelpre si të tjerat dhe se
qëllimi i "mbretit" kishte qënë që të delte shëndoshë e mirë përtej kufijvet me familjen
dhe thesarët e tij. Turp, për Zotin! Po a n'atë mënyrë patën ikur Kara Mahmut Bushati,
Ali Pashë Tepelena, e sa e sa burra të tjerë të racës shqiptare?

Por burrërinë e racës shqiptare e tregoi Mujo Ulqinaku me shokët e tij që u bënë copë
e grima ndënë gjylet e Italisë. Sepse ishte kalbur klasa drejtonjëse e gjerahershme,
gjaku i Shqiptarit vlonte akoma, si në kohët e lashta në rrembat e popullit.

Në mëngjezin e 7 Prillit 1939, një fuqi italiane e përbërë nga dy


divizionë këmbësorie, katër regjimente bersaljerësh, një regjiment granatierësh, dy
batalionë këmishëzes, tre batalionë të motorrizuar tankseshdhe një grup qerresh të
koracuara, dy grupe artilerie të kalibrit të mesëm, me një flotë detare prej
dy koracatash dhe shtatë kryqëzorësh përveç torpilorëvet, etj., dhe me një flotë ajrore
- gjithësejt afro 40.000 ushtarë - ndën kumandën e gjeneral Alfredo Guzzoni-t, sulmoi
Shqipërinë. Pjesa m'e madhe e fuqisë i drejtohej Durrësit. Pjesa tjetër do të zbriste në
Shëngjin, Vlorë e Sarandë.

Ndërsa "kumandarët e lartë" të klikës së Zogut bashkë me atë vetë iknin fshehurazi si
hajdutët kur bëhet berihaja në fshat: ndërsa të tjerë "shkëlqesa" t'atij rrethi shkonin t'i
paraqitnin nderimet dhe nënshtrimin ministrit t'Italisë në Tiranë; ndërsa ajrorët italianë
hidhnin trakte me nënshkrimet e të mërguarve politikë që i bënin thirrje popullit
shqiptar t'i priste Italianët si miq; Mujo Ulqinaku me disa reparte të gjindarmërisë dhe
të marinës, në Durrës, të tjerë grupe gjindarmësh e vullnetarësh në Vlorë e në
Shëngjin, i pritën me grykë të pushkës dhe të mitralozavet, ashtu si e ka pasur
gjithmonë zakon Shqiptari, që s'e ka lëshuar kurrë atë tokë të ngratë pa i vënë vulën e
gjakut.

Austria, Çekosllovakia, ndonëse më të qytetëruara dhe shumë më mirë t'armatosura,


t'organizuara, u dorëzuan pa shtirë një pushkë. U çudit Evropa kur dëgjoi se Italianët
provuan tri herë të zbrisnin në skelën e Durrësit dhe u detyruan të këthehëshin prapë
n'anijet; gjersa më në fund e hapën rrugën me grykat e artilerisë së detit dhe shkelën
në tokën shqiptare duke shkelur mbi kufoma dëshmorësh. Shqiptarët ishin i pari komb
n'Evropë që po i qëndronte me armë agresionit fashist.
Italianët hynë në Tiranë të nesërmen, më 8 Prill. Ndonëse nuk ndeshën në tjetër
qëndresë, bënë më tepër se një muaj për t'a shkelur të tërë vendin. Sikur Zogu të
kishte qëndruar me armë, dhe gjithë popullin n'atë rast e kishte me vehte si një
shkëmb graniti, do të kishte habitur botën, do t'ishte përsëritur epopeja kastriotiane,
Shqipëria do të kish tërhequr admirimin e gjithë njerëzisë, do të kishte mbetur
shembull heroizmi. Forcat e reja do t'ishin mbledhur rreth Zogut, do t'ishte krijuar një
tjetër bosht përqëndrimi politik, do t'i ishte prerë udha komunizmit. Por Zogu s'kishte
asnjë rremb heroizmi, ishte njeri tepër i rëndomtë: Jugosllavia e kishte futur në
Shqipëri, Italia i dha një shqelm dhe e hodhi jashtë.

XXIX
Në botën e jashtëme, pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste u dënua përgjithësisht
prej opinionit të popujvet liri-dashës, por nuk gjeti ndonjë kundërshtim prej qeverivet.
Lidhja e Kombevet s'e ngriti zërin fare; Anglia dhe Jugosllavia e pranuan si një punë
të kryer. Kjo e fundit u kënaq me premtimin e Duce-s që Italia nuk do të përqëndronte
forca ushtarake në kufirin shqiptar-jugosllav dhe nuk do t'interesohej fare për
Shqiptarët e Kosovës. Sa për Greqinë, ajo u përpoq të mos i jepte asnjë shkak
zemërimi Italisë. Vetëm Shtetet-e-Bashkuar t'Amerikës u shprehën kundër. Sekretari i
Shtetit për Punët e Jashtëme, Cordell Hull, në një deklaratë që bëri më 8 Prill, e dënoi
sulmimin e përdhunë fashist si një kërcënim për paqen.

Por pushtimi italian, me tronditjen e madhe që shkaktoi brenda në Shqipëri, nxori në


shesh gjendjen e vërtetë të mendësisë dhe të lidhjevet shoqërore, që kishin ndryshuar
mjaft prej vitit 1920 e gjer më 1939. Klasa sundonjëse e vjetër, bejlerë, krerë e
bajraktarë, nuk kishte më asnjë rol drejtonjës në popull, e kishte humbur krejt
ndikimin e dikurshëm dhe pat qënë mbajtur në fuqi në kohët e fundit vetëm prej
autoritetit shtetëror të regjimit të Zogut. N'atë klasë nuk kishte mbetur asgjë nga fryma
nacionaliste e Kongresit të Lushnjës. Të shumët e atyre që tani quhëshin
"nacionalistë" ose dikur "demokratë" nuk ishin veçse sharlatanë, rrogëtarë dhe agjentë
t'atij që i paguante. Pothuajse e tërë burokracia "besnike" e Zogut mbeti në vend dhe u
vu t'i shërbente pushtimit italian me të njëjtën "besnikëri". Por kishte edhe më keq: ata
që patën qënë kundërshtarët e Zogut, të mërguarët politikë, "demokratët" e 1924-ës që
populli i përfytyronte si heronj, erdhën, me përjashtime shumë të pakta, me ushtërinë
italiane si "çlironjës" dhe vinin rreth nëpër Tiranë si heronj prej kashte për të marrë
rrogat e prapambetura për katërmbëdhjetë vjet, domethënë për tërë kohën që patën
qënë t'arratisur jashtë shtetit. "Besnikë" e "kundërshtarë" të Zogut, që patën qënë
kacafytur ndërmjet tyre si gjelat në plehë dhe s'kishin mundur kurrë të bashkohëshin
ndën Shkabën dykrenore, u përqafuan si vëllezër ndën Shenjat e Liktorit për t'i
shërbyer pushtimit të huaj. Kjo ishte komedia m'e paturpshme që luhej në kurrizin e
një kombi të mjerë. Sa për "kreshnikët" e malevet, krerë e bajraktarë, nuk mbetën as
këta më pas nga të tjerët: u lëshuan në Tiranë për të marrë rrogat e prapambetura dhe
shpërblime të reja. Këtyre, përveç mustaqevet dhe fjalëve të mëdha, s'iu kishte mbetur
asgjë nga madhështia heroike që iu pat dhënë dikur At Gjergj Fishta.

Ky qëndrim i dobët i klasës drejtonjëse ishte në kundërshtim të papajtuarshëm me atë


që ndienin e mendonin djalëria e populli përgjithësisht dhe që e patën çfaqur si
shpërthim vullkani në tronditjen e Ditëvet të Prillit. Megjithë shtrëngimet e regjimit të
Zogut, ishte krijuar, siç thamë, në brezin e ri dhe në pjesën më të madhe të popullit,
prej ndikimit të kulturës perëndimore dhe t'idevet të reja, një tjetër botëkuptim përsa
iu përkiste qeverimit, lirisë dhe të drejtavet të secilit. Kjo optikë e re nuk mund të
pajtohej n'asnjë mënyrë me sjelljet e klasës drejtonjëse të vjetër, ashtu si nuk pajtohet
një trup i gjallë me një kërmë të vdekur. Por ndonëse populli shqiptar, në pjesën më të
madhe, ndodhej i liruar nga lidhjet shoqërore të vjetra, domethënë nuk shkonte më pas
bejlerësh, krerësh e bajraktarësh, nuk kish mundur të krijonte akoma lidhje të reja,
sepse regjimi zogist nuk pat lejuar rrahje të lirë mendimesh. Dhe ishte frikë e madhe
që djalëria, e papregatitur ajo vetë dhe e paformuar politikisht, mund t'a tërhiqte
n'aventurën e komunizmit, siç e tërhoqi. Thamë se deri atëhere, duke mos pasur
Shqiptarët një bosht mendimi e kulturor të tyren, kishin mbetur ndën ndikimin e
ideologjivet të jashtëme si dikur ndën atë të fevet. Italia pat dashur të përhapte në
brezin e ri shqiptar "ideologjinë" fashiste dhe mënyrat e organizimit të saj, duke
dërguar në Tiranë si organizator të këtij drejtimi Giovanni Giro-n, që më 1937. Pas
pushtimit, krijoi një ministri të Partisë Fashiste, me federalë nëpër qytetet, duke
detyruar nëpunësit dhe djalërinë që të shkruhëshin në të. Por, përveç disa
oportunistëve, kjo parti nuk mund të tërhiqte antarë sepse lidhej me pushtimin dhe
robërimin e Shqipërisë. Ndryshe paraqitej ideollogjia komuniste, e cila jo vetëm
besohej prej djalërisë dhe njerëzve të thjeshtë si çlironjëse e popujvet, jo vetëm që
vinte si një reaksion i natyrshëm kundër shtypjes së regjimit zogist dhe të pushtimit
italian, por gjente edhe një klimë të krijuar prej ca njerëzve që patën gëzuar besimin e
popullit, si Fan Noli me shokë. Pastaj u ndihmua prej hyrjes së Rusisë në luftë dhe
prej disa faktorësh të brendshëm, të cilët do t'i shohim më poshtë.

Më 9 Prill, një ditë pas hyrjes së tyre në Tiranë, Italianët formuan një t'ashtuquajtur
komitet admistrativ nën kryesinë e Xhafer Ypit, ish-inspektor i përgjithshëm i Oborrit
të Zogut. Mandej mblodhën menjëherë, më 12 Prill, një t'ashtuquajtur "asamble
kombëtare", e përbërë prej bejlerësh bajraktarësh, tregëtarësh të mëdhenj, njerëz
pozitash, klerikë e parësi - gjithësejt 159 veta - të cilët aprovuan me duartrokitie e
zgërdhihje majmunash vendimet e pregatitura në Romë dhe dorëzuar Xhafer Ypit prej
Legatës italiane në Tiranë. Këto vendime e rrëzonin kushtetutën e vitit 1928 dhe "i
lutëshin" mbretit t'Italisë, Viktor Emmanuel-it III, që të pranonte kurorën e Shqipërisë.
"Asambleja" ngarkoi njëkohësisht Shefqet Vërlacin, m'i madhi çifligar i vendit, për të
formuar "qeverinë shqiptare". U caktua mandej një grup karnavalësh veshur me
uniformën fashiste për t'i shpurë në Romë kurorën e Shqipërisë Viktor Emmanuel-i të
III.

Italianët u vunë me të shpejtë t'a organizonin Shqipërinë pas mënyrës fashiste duke e
futur në kuadrin e Italisë. Më 21 Prill formuan Partinë Fashiste Shqiptare. Më 3
Qërshor shpallën "Statutin themeltar të Mbretërisë Shqiptare", i cili iu njihte mbretit
t'Italisë dhe trashëgimtarëvet të tij të gjithë fuqinë legjislative dhe ekzekutive në
Shqipëri. Ketë fuqi mbreti i Italisë do t'ia ushtronte me anën e një zëvendës-mbreti
ose mëkëmbës, siç u quajt, dhe si të tillë caktoi ish-Ministrin e Italisë në Tiranë,
Jakomonin, njeriu i besuar i Mussolini-t, dhe një nga ata që patën pregatitur pushtimin
e Shqipërisë. Ky do të ndihmohej gjoja prej një këshilli korporativ fashist, i emëruar
prej partisë fashiste.

Mbasi në botën e jashtëme Shqipëria nuk figuronte më si shtet i pavarur, se të gjitha të


drejtat e lidhjevet ndërkombëtare për të i ushtronte mbreti i Italisë, prej qeverisë
kukëll të Tiranës u shlye ministria e Punëvet të Jashtëme. Po edhe ministritë e tjera
mbahëshin vetëm si zyra administrative të drejtuara prej këshilltarëvet italianë, të cilët
ishin të plot-fuqishëm, nën urdhërat e Jakomonit.

Ditën që shpallën "Statutin themeltar të Mbretërisë Shqiptare", Italianët i inkuadruan


forcat e armatosura shqiptare në forcat italiane, flamurit kombëtar të Shqipërisë i
vunë shënjat e Liktorit që simbolizonin fashizmin italian. Mandej, për të kolonizuar
vendin, shpallën ligjin e barasisë së të drejtavet civile dhe politike ndërmjet
nënshtetasvet shqiptarë dhe Italianëvet që do të vendosëshin në Shqipëri. Ky ishte
qëllimi kryesor i Italisë, t'a mbushte vendin me popullsi italiane dhe t'a bënte Itali pas
disa vjetësh, duke i asimiluar edhe Shqiptarët në gjuhën dhe kulturën e saj, përveç
ndonjë grupthi primitivësh që mund të mbetej nëpër malet e pashkelshme. Por këtë
politikë s'pati kohë t'a vinte në zbatim sepse, më 1 Shtator 1939, plasi Lufta e Dytë
botërore, dhe Italia tani kishte interes t'i përdorte Shqiptarët si një forcë ushtarake për
qëllimet e saja. Kolonizimin e plotë do t'a bënte pastaj, nëqoftëse fashizmi do të delte
ngadhënjyës.

Për kolonizimin e Shqipërisë - ashtu siç bënin edhe fuqitë e tjera imperialiste tek
popujt e Lindjes - Italia u pështet në feudalizmin e vjetër, domethënë në klasën e
bejlerëvet, prandaj si kryeministër të qeverisë kukëll caktoi më të rëndësishmin e
këtyre, Shefqet Vërlacin. Titulli bej, që nuk përdorej më zyrtarisht në kohën e Zogut,
u vu përsëri në qarkullim. Italianët kujtonin se Shqipëria, nga pikëpamja shoqërore,
ndodhej akoma si në kohën e feudalizmit otoman, ndonëse këtë mendim Konti Sforza
e kishte kritikuar që më 1920, duke shkruar n'atë kohë se zgjimi i ndjenjës kombëtare
në Shqipëri ishte shtrirë në masat e gjera dhe i kishte shkëputur ato nga ndikimi i
vjetër i bejlerëvet. Njëkohësisht Italianët u munduan të pështetëshin në klerin dhe
krerët e popullsisë katolike, por, me disa përjashtime të vogla, nuk ia arritën dot
qëllimit. Nuk mundën të bënin gjë as disa agjentë të tyre që nisën të flisnin për
mundësinë e këthimit t'Orthodoksvet n'unitizëm.

Ndonëse fuqinë e ushtronin ata vetë, Italianët mblodhën rreth tyre lamashët e klasës së
vjetër sundonjëse të sistemit bejlerobajraktar, ish-kundërshtarë apo "besnike" të
Zogut, si edhe disa oportunistë ekalemxhinj prej borgjezisë. Sidomos për tregëtarët u
hap një periudhë e re spekulimi. Në krye të këtij vargu vunë, siç thamë, Shefqet
Vërlacin, dhe si njeri të fortë mbanin, në rezervë, Mustafa Krujën. Por njeriu m'i
afërm i tyre, me të cilin këshillohëshin për çdo gjë që kish të bënte me Shqipërinë,
ishte Ernest Koliqi. Si pozitë zyrtare, ky ishte ministër i Arësimit, por dukej se pranë
qarqevet italiane i shkonte fjala më shumë se kujtdo tjetër.

Italianët e kuptuan shpejt se klasa drejtonjëse e vjetër që ishte vënë në shërbim të tyre
nuk gëzonte asnjë simpathi në popullin shqiptar, e kishte humbur krejt ndikimin e
dikurshëm, dhe se një hendek i pakapërcyershëm ishte thelluar ndërmjet asaj dhe
brezit të ri. Populli dhe djalëria u treguan përgjithësisht kundër pushtimit fashist me
anën e demostratavet dhe të qëndresës pasive. Kjo qëndresë u bë m'e vendosur dhe
m'e përgjithshme pasi u hap Lufta e Dytë botërore, në fillim të Shtatorit 1939. Italia
përdori edhe këtë radhë të njëjtën taktikë politike si në Luftën e Parë botërore,
domethënë u tregua përkohësisht mos-pjesëmarrëse në Luftë, por gjithkush e kuptonte
se nuk do të mbetej pa u përfshirë.

Duke e parë pra se s'mund t'a sundonin popullin shqiptar me anën e ca rrogëtarëve të
nënshtruar, Italianët hoqën çdo besim nga Shqiptarët dhe nisën të pështetëshin vetëm
në fuqitë e armatosura të tyre. Në shërbime patrullash, për shembull, gjindarmët
shqiptarë i kishin pushkët pa fishekë megjithëse, sa për dukje, delnin bashkë
me karabinierët. Pak më vonë nisën Italianët të formonin disa trupa milicie fashiste,që
përbëhëshin prej merçenarësh dhe aventurierësh të çdo marke. Por duke qënë shumica
e madhe e popullit kundër pushtimit të huaj, një pjesë e vogël merçenarësh nuk mund
të loste ndonjë rol të rëndësishëm.

Pas tronditjes së parë të Ditëvet të Prillit, shumica e madhe vazhdoi t'ia tregonte
kundërshtimin e saj haptazi me anën e demostratavet, të botimevet dhe të qëndresës
pasive. 28 Nëntori i 1939-ës iu dha shkas disa manifestimeve të përgjithshme, që u
bënë sidomos në Tiranë, në Korçë e në Shkodër. Në Vlorë, te "Sheshi i Flamurit" u
hodh poshtë flamuri i njollosur me Shënjat e Liktorit dhe u ngrit krenarisht flamuri i
thjeshtë kombëtar. Në Korçë, buçiti i tërë populli i qytetit nëpër rrugët, të rinj e të
vjetër, burra e gra, dhe filloi të thyente me gurë xhamat e zyravet dhe të kazermavet
fashiste. Italianët mbajtën gjakftohtësinë dhe nuk ngjajtën përleshje. Por disa ditë më
vonë filluan t'arrestonin frymëzonjësit dhe prijësit e demostratavet, të cilët ishin në
shumicë arësimtarë, profesorë, si edhe disa nacionalistë të vjetër që kishin qëndruar të
pastër, pa u përzjerë në lodrat e akrobatëvet. Këta udhëheqës të demostratavet u
dërguan nëpër burgjet dhe ishujt e Italisë. Për fat të mirë, midis këtyre nuk kishte
komunistë, të cilët n'atë kohë bashkëpunonin me fashizmin mbasi Rusia sovietike
kishte lidhur një pakt miqësie e tregëtie me Gjermaninë e Hitlerit. Kështu, qëndresa e
parë kundër pushtimit fashist, qëndresa e popullit dhe e djalërisë, frymëzohej nga
ndjenja e pavarësisë kombëtare, nga ndjenja e lirisë dhe e demokracisë.

Një njeri që i ka jetuar ato ngjarje dhe këndon sot historinë e tyre shkruar prej
komunistëvet, fërkon syt sepse i duket sikur sheh ëndërr. Mbasi muarën fuqinë në
dorë, komunistët kanë të gjitha të drejtat, deri edhe atë të krijimit të kohës së shkuar,
sikurse të së tashmes, nëpër zyrat e propagandës. Sipas atyre, të gjitha ato lëvizje e
demostrata i paskan frymëzuar, organizuar e drejtuar ata. Kurse auktori i këtij studimi,
që ndodhej atëhere në Korçë dhe, në Ditët e Prillit, u vu t'organizonte djalërinë për një
qëndresë me armë, nuk pau në qarkullim as Enver Hoxhën as ndonjë nga shokët e tij,
të cilëvet n'atë kohë s'iu interesonte se ç'bëhej ndërmjet "borgjezivet" italiane dhe
shqiptare. Po ashtu edhe në lidhje me demostratën vigane që u bë në Korçë më 28
Nëntor 1939, për të cilën u arrestuan auktori i këtij studimi dhe disa atdhetarë të tjerë,
Enver Hoxha me shokët e tij s'pësuan gjëkafshë.

Italia fashiste hyri në Luftë në Qërshor 1940, kur Gjermania e Hitler-it e kishte
përmbysur Francën. Në Tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë duke e sulmuar prej
kufijvet të tokës shqiptare. Por ushtëria greke i prapsi Italianët dhe, duke i ndjekur,
hyri në Shqipëri. Gjatë asaj lufte, që vazhdoi gjer në Prill 1941, populli shqiptar në
përgjithësi tregoi një vetëdijë politike nga më të lartat. Megjithë përpjekjet e Italisë
fashiste dhe t'agjentëvet të saj për t'a përdorur si mish për topa n'atë luftë, kombi
shqiptar, me përjashtim të disa kompanive merçenarësh të milicisë fashiste, jo vetëm
që s'pranoi kurrsesi të luftonte kundër Grekëvet, po edhe iu ndihmoi këtyre, duke e
kuptuar se të dy popujt ishin viktima të të njëjtit imperializëm. Këtë gjë e vërteton
vetë mareshali Badoglio, kryetari i shtatmadhorisë italiane, në Kujtimet e tij, si edhe
Mussolini, në një letër që i dërgonte Hitler-it më 22 Nëntor 1940. Por Grekët nuk i
dhanë asnjë rëndësi këtij qëndrimi miqësor dhe përkrahës të Shqiptarëvet. Sepse,
porsa hynë në Korçë e në Gjirokastër, ngritën flamurin e Greqisë dhe vunë
administratën greke. Nga ana tjetër, kur Greqia hoqi zinë e tmerrëshme t'urisë pas
kapitullimit, me mijëra gra e fëmijë grekë hynë në Shqipëri për të lipur. Populli
shqiptar, duke i harruar therjet, djegiet e mizoritë e 1914-ës, si edhe vdekjen e mijëra
grave, burrave e fëmijëve po prej urie n'ullishtat e Vlorës nga shkaku i Grekëvet, u
tregua edhe këtë radhë aq fisnik e bujar si gjithmonë: ndau kafshatën e bukës me
familjet greke që vinin në Shqipëri dhe iu mbushte thasët me grurë, misër e fasule pa
asnjë shpërblim, në mënyrë që këto këthehëshin ngarkuar në Greqi për të mbajtur
gjallë njerëzit e tyre. Sigurisht, për të shpërblyer këtë fisnikëri, bandat greke të
gjeneralit Zervas, duke vepëruar sipas zakonit të njohur, punuan tmerre më vonë mbi
Shqiptarët e Çamërisë, siç do t'a shohim më poshtë. Dhe për të shpërblyer qëndrimin e
popullit shqiptar gjatë Luftës, politikanët e Athinës, me një cinizëm neveritës, ulurijnë
akoma se gjoja Shqipëria paska luftuar krahas me Italinë fashiste kundër Grekëvet.

Vija e frontit italo-grek ngeli në Shqipërinë e jugës gjer në Prill 1941, kur ushtëria
gjermane iu ra Jugosllavisë dhe Greqisë njëheresh dhe brenda pak ditësh pushtoi
Belgradin, Selanikun dhe Athinën. Atëhere Grekët u tërhoqën prej Shqipërie, dhe
ushtëria italiane hyri në Çamëri. Mbasi Gjermania e ndau Jugosllavinë në disa pjesë,
Italia mundi të bashkonte Kosovën me Shqipërinë. Edhe Çamëria qëndroi për ca kohë
si një krahinë e varur nga Tirana. Me atë rast u hapën në Kosovë disa shkolla shqipe
dhe filloi një propagandë shqiptare. Ndonëse fashistët deshën t'a shfrytëzonin këtë
"bashkim" të Shqipërisë ethnike për t'i lidhur Shqiptarët më ngushtë me fuqitë e
Boshtit Romë-Berlin, qëndrimi i Shqipovet kundrejt këtyre dy fuqive vazhdoi i ftohtë
dhe armiqësor. Bashkimi i Kosovës dhe i Çamërisë n'ato kushte nuk ngjalli ndonjë
enthusiazëm, jo vetëm sepse e tërë Shqipëria ndodhej nën robërinë fashiste, po edhe
për shkak se gjithkush e kuptonte që ai bashkim ishte i përkohshëm, që fuqitë e boshtit
do t'a humbisnin luftën, dhe se Shqiptarëvet do t'iu duhej t'i delnin zot vetë vendit të
tyre, t'a merrnin vetë ndër duar fatin e atdheut. Kështu, në vend që të topitej, qëndresa
shqiptare kundrejt pushtonjësit të huaj nisi t'organizohej në çeta dhe të bëhej më
sulmonjëse.

Italia, nga ana tjetër, gjatë luftës italo-greke e kuptoi mirë se kombi shqiptar nuk mund
të përdorej ashtu siç patën menduar krerët e fashizmit dhe se ndjekjet e arrestimet e
vazhduarshme (të cilat ishin shtuar gjatë Luftës) po e hapnin më tepër hendekun e
antagonizmit në vend që t'a mbyllnin. E kuptoi gjithashtu se forca ushtarake e saj ishte
një mith, aq sa mjaftoi vetëm ushtëria greke për t'ia hequr maskën e gogolit. Prandaj,
nga mbarimi i vitit 1941, mendoi të ndryshonte "politikë" kundrejt Shqipërisë dhe të
provonte nëse mund të kishte një mënyrë bashkëpunimi, qoftë edhe të përkohshëm,
me kombin shqiptar. Kërkoi sidomos t'afronte rrymën nacionaliste kundrejt rrezikut
komunist që po dukej tani më kërcënonjës me hyrjen e Rusisë në Luftë. Për këte
qëllim, liroi nga internimi kundërshtarët e orës së parë, udhëheqësit e demostratavet,
të cilët ndodhëshin ç'prej dy vjetësh nëpër burgjet ose ishujt e Italisë. Mandej, në
Dhjetor 1941, e zëvendësoi qeverinë kukëll të Shefqet Vërlacit, që përbëhej kryesisht
prej bejlerësh, me një tjetër qeveri gjoja më autonome nën kryesinë e Mustafa Krujës.
Ky ftoi për bashkëpunim nacionalistë e shkollarë me premtimin se Italia do të bënte
disa lëshime autonomie, dhe si provë e dukshme ishte heqja e Shënjavet të Liktorit
prej flamurit të Shqipërisë. Deri atëhere Italianët e kishin mbajtur Mustafa Krujën në
dorë si një kartë të dytë për një rast të këtillë. Tani kujtonin se ky ishte "njeriu i fortë"
që lypnin rrethanat. Mustafa Kruja u mundua t'i bindte kundërshtarët e pushtimit
fashist se punët do të shkonin si s'kish më mirë, dhe u përpoq sidomos të vinte në
zbatim planin e mobilizimit ushtarak, i cili, sipas programit të ri, parashikonte krijimin
e një ushtërie shqiptare prej 20.000 vetash, që do të luftonte për Perandorinë fashiste
ashtu siç kishin luftuar Shqiptarët gjithmonë për botën, që nga Perandoria e Romës
gjer tek ajo e Osmanllinjvet.

Natyrisht, këtë "politikë" të dytë t'Italianëvet, sikurse të parën, s'e gëlltiti askush
përveç agjentëvet të fashizmit. E kuptonte kushdo se kjo ishte një dredhi e çastit, në
një kohë kur Italia fashiste ndodhej me shpatulla për mur, dhe se s'mund të kishte liri
as autonomi për Shqipërinë për sa kohë që ushtëria e huaj e mbante të shkelur. Prandaj
ata që u liruan prej internimit dolën menjëherë në mal dhe zunë të formonin çetat; ata
që u thirrën ushtarë, rrokën armët dhe u arratisën. Kundërshtimi vazhdoi m'i gjallë dhe
m'i rreptë se përpara. Thirrjet "patriotike" të Mustafa Krujës nuk dëgjohëshin përtej
kafenevet të Tiranës.

XXX
Është rasti të themi dy fjalë mbi përbërjen e qëndresës shqiptare kundër pushtimit
fashist dhe mbi ndarjen e saj.

Kemi parë sesi, i shtypur prej regjimit të Zogut, populli shqiptar jepte përshtypjen e
një trupi të mpitë që s'ishte për asgjë. Mirëpo, kur mori vesh se ushtëritë italiane po e
sulmonin Shqipërinë, u çua në këmbë me një forcë të re, porsi t'ishte një popull tjetër.
S'kërkoi veçse armë. Por ata q'e kishin udhëhequr (ose shtypur) gjer n'atë ditë, e
gënjyen, e tallën dhe e lanë në baltë. Të tjerë politikanë, që ishin mbajtur gjer atëhere
si burra më të mirë, u kthyen me këmishën e zezë dhe kërkonin t'i mbushnin mendjen
gjithkujt se pushtimi i huaj ishte "çlirim". Natyrisht, ky lloj shpjegimi s'ia mbushte dot
mendjen as popullit as djalërisë, por iu dha të kuptonin një tjetër gjë: se klasa e
politikanëvet të vjetër, besnikë apo kundërshtarë t'ish-mbretit Zog kishte mbaruar
përgjithmonë.

Kjo e vërtetë e hidhur mund të kishte rreziqet e saja, ashtu siç i pati. Por faji nuk ishte
aq fort i djalërisë, e cila ndiqte evolucionin e kohëvet, se sa i atyre që e kishin ulur
nacionalizmin shqiptar në radhën e një tregëtie flamujsh.
Në vendin tonë s'kishte pasur rrahje të lirë mendimesh, dhe idetë e jashtëme kishin
qënë marrë prej të rinjvet në një mënyrë të rrëmujëshme, pa kritikë, pa komentim.
Prandaj nga kontrasti ndërmjet mbeturivet mesjetare që lidhëshin tashti edhe me
pushtimin e huaj, nga njëra anë, dhe aspiratavet të brezit të ri, nga ana tjetër, mund të
ndodhnin gjëra të papritura. Fryma që mbushte brezin e ri ishte më fort dalldisje
ndjenjash, që duhej bërë diçka e re, se sa punë mendimesh, çfarë dhe qysh. Gjëja që të
rinjtë urrenin përgjithësisht, ishte këthimi në regjimet e së kaluarës.

Gjer atëhere s'kishte pasur në Shqipëri ndonjë lëvizje komuniste përveç disa grupthesh
të fshehtë e të shpërndarë, që shpeshëherë vepronin në kundërshtim me njëri-tjetrin
dhe që askush s'iu kishte dhënë rëndësi, as gjindarmëria e Zogut. Që nga viti 1925 e
tëhu, disa antarë të vjetër të Shoqërisë Bashkimi, si Halim Xhelua, Ali Kelmendi e të
tjerë, kishin pasur lidhje me Federatën Komuniste Ballkanike dhe qenë munduar të
përhapnin idetë e saja ndër punëtorë dhe studentë shqiptarë. Disa prej të rinjvet që
studionin n'Evropë, si në Francë, n'Itali e gjetkë, këthehëshin me ide komuniste. Por
duke pasur Shqipëria një strukturë shoqërore të përbërë në shumicë të madhe prej
fshatarësh, pa një klasë punëtorësh në kuptimin industrior të fjalës përveç ca pak
zejtarëve, lëvizja komuniste nuk gjente dot një bazë të përshtatshme. Kështu që ato
ide, në një mënyrë të paqartë, klloçitnin vetëm në disa grupthe të rinjsh.

Ngritja kundër pushtimit të huaj qe shtytur nga një frymë kombëtare dhe djalëria e
tërë u hodh nëpër demostrata e mbushur me atë frymë. Ata që i prinin, ishin
arësimtarë të rinj shumica, ose edhe atdhetarë të vjetër, të ndritur prej idesë së lirisë
kombëtare dhe të përparimit, por jo komunistë. Ishte zjarri i shënjtë i kombësisë ai që
ndezi zemrat në Ditët e Prillit. Kurse komunistëvet s'iu interesonte se ç'bëhej ndërmjet
"borgjezivet" italiane dhe shqiptare. Ca muaj më vonë, kur u lidh pakti gjermano-
sovietik njëkohësisht me plasjen e Luftës së Dytë botërore, komunistët shqiptarë zunë
të mendonin (dhe e thoshin haptas) se ishin më t'afërt me regjimet fashist e nazi, të
cilët qëndronin mbi fuqinë e organizuar të masavet, se sa me "plutokracitë" e
Perëndimit që pështetëshin vetëm në forcën e kapitalit. Prej organizimit shtetëror
fashist në kolektivizmin komunist s'ka veçse një çap për t'u bërë, thoshin kuqalashët
atëhere. Prandaj ata që u arrestuan prej policisë fashiste në kohët e para ishin
pothuajse që të gjithë nacionalistë e demokratë. Komunistët nuk lëvizën përsa kohë që
Rusia qëndronte jashtë Luftës.

Një gjë që s'e kanë kuptuar akoma Shqiptarët është se ndjenja nacionaliste dhe
komunizmi janë dy veprime të kundërta që s'mund të pajtohen kurrë me njëra-tjetrën.
Nacionalizmi është dashuria për kombin, për bashkimin dhe lartësimin e tij. Kurse
komunizmi është një internacionalizëm, i bazuar në të ashtuquajturin bashkim të
t'ashtuquajturit proletariat botëror. Këto dy veprime të kundërta nuk mund të pajtohen
në një ide të vetme, as në një luftë të përbashkët. Nacionalistët luftonin për të mbrojtur
kombin e tyre, kurse komunistët luftonin për të bërë revolucionin komunist në tërë
egërsinë e tij. Për të gënjyer popullin, komunistët bënin gjoja sikur luftonin kundër
pushtimit të huaj, por e vetmja gjë që iu interesonte ishte revolucioni komunist, të
cilin e zbatonin me mënyrat më të tmerrëshme dhe më mizore. Deri sa të mos ketë
kuptuar këtë ndryshim në mes të Ballistëve dhe të komunistëve, populli shqiptar nuk
do të kuptojë asgjë nga historia e tij e këtyre 50 vjetëve të fundit.

Kur dy agjentë jugosllavë erdhën në Shqipëri për të krijuar partinë komuniste, në


vjeshtën e vitit 1941, disa nga udhëheqësit e lëvizjes kombëtare kishin vuajtur dy vjet
burgim ose internim nëpër ishujt e Italisë. Në këtë kohë qëndresa kundër pushtimit
fashist ishte përgjithsuar, dhe gjatë luftës italo-greke desh u kthye në kryengritje. Më
çdo kënd të Shqipërisë ishte çfaqur shpirti kombëtar me demostrata, hedhje traktesh e
vepërime të tjera. Kjo lëvizje kombëtare u lidh në një organizatë të përgjithshme që u
quajt Balli Kombëtar. Duke dashur të pajtonte traditën e vjetër për një Shqipëri
Ethnike dhe krejt tëpavarur me nevojat e riorganizimit ekonomik e shoqëror të kohës
sonë, Balli Kombëtar i shpalli popullit një program të shprehur në dhjetë nyja (e
prandaj u quajt Dekalog ), ku parashikohej lufta për çlirimin e Shqipërisë dhe
riorganizimi i jetës ekonomike e shoqërore të vendit mbi një bazë krejt demokratike.
Çështja e regjimit politik, pas çlirimit të vendit, do të zgidhej natyrisht me votën e lirë
të popullit.

Komunistët shqiptarë u vunë në lëvizje vetëm kur atdheu i tyre, domethënë Rusia
sovietike, u sulmua prej Hitler-it në Qërshor 1941. Po edhe atëhere nuk dinin se ç'të
bënin as qysh të vepronin. Ishin të thërrmuar në grupthe të vegjël, prej të cilëvet
asnjëri s'ia lëshonte rrugën tjetrit. M'i rëndësishmi duket se ishte grupi i Korçës, ku
bënin pjesë Enver Hoxha dhe Koçi Xoxja. Hyrja e Rusisë në Luftë e vuri në lëvizje
motorrin e komunizmit ndërkombëtar, dhe dy emisarë jugosllavë, Miladin Popoviç
dhe Dushan Mugosha, që të dy antarë të komitetit krahinor të partisë komuniste
jugosllave për Kosovën, u dërguan në Shqipëri prej shtabit të Titos për të formuar dhe
kumanduar partinë komuniste shqiptare. Mbasi Shqiptarët përgjithsisht i binden më
shumë të huajit se sa njëri-tjetrit, dy emisarët jugosllavë e kryen plotësisht misionin e
tyre duke i bashkuar grupthet e ndryshëm komunistë në një parti të vetëme, më 8
Nëntor 1941. Ata vetë (Miladini me Dushanin) zgjodhën edhe antarët e komitetit
qendror me Enver Hoxhën si sekretar të përgjithshëm. Kuptohet vetvetiu se partia
komuniste shqiptare ishte si një degë e partisë komuniste jugosllave, dhe të dërguarët
e Titos, Miladin Popoviçi si organizator politik dhe Dushan Mugosha si organizator
ushtarak, mbetën drejtonjësit dhe kumandarët e vërtetë të partisë komuniste shqiptare
deri pas Luftës. Më vonë arritën edhe të tjerë emisarë jugosllavë, si Vukmanoviç
Tempo-ja me shokë.

Se në ç'gjendje ishin komunistët shqiptarë përpara ardhjes s'emisarëvet jugosllavë, e


tregon raporti i Miladin Popoviçit drejtuar komitetit qendror të partisë komuniste
jugosllave, më 21 Maj 1942: "Kemi gjetur një kaos të vërtetë. Ndodhëshin grupe dhe
grupthe (gjithësejt tetë, ndër të cilët dy trotskistë). Seicili prej tyre tërhiqte nga ana e
tij. Shpeshëherë bënin edhe "bashkime" ose "marrëveshje" për të paditur tek neve
njëri-tjetrin".

Raportet e emisarëvet jugosllavë vërtetojnë gjithashtu se, ç'prej pushtimit të


Shqipërisë prej Italisë fashiste (7 Prill 1939) gjer në Nëntorin e vitit 1941, komunistët
shqiptarë kishin ndëjtur si të mpitë duke u kacafytur midis tyre dhe s'kishin lozur
asnjë rol në lëvizjet e brendëshme të popullit shqiptar gjatë asaj periudhe.
(Shih, "Gjaku i Trathëtuar", libër i bardhë i ministrisë së Punëve të Jashtëme
jugosllave, botuar më 1949).

Mirëpo t'organizuar dhe të shtytur prej emisarëvet jugosllavë, u hodhën në një


veprimtari t'ethëshme, sidomos nëpër qytetet, duke rekrutuar dhe "formuar" antarë
partie, veçanërisht nëpër të rinjtë e papjekur e në njerëz gjysmakë, studentë që s'kishin
kaluar kurrë provimet, nxënës shkolle, shegerta, zejtarë, punëtorë, vajza të pamartuara
ose nga ato q'ëndërronin të bëhëshin heroina romanxi. Këta elemente i fanatizuan me
anën e "literaturës" komuniste dhe të konferencavet të tyre, duke përfituar sidomos
nga psikoza e nxehtë e Luftës. Me këtë armaturë kuadrash u hodhën pastaj në luftë të
hapët për të marrë fuqinë. Ndonëse qëllimi i tyre ishte pregatitja e revolucionit
komunist për marrjen e fuqisë, në dukje paraqitëshin sikur bënin gjoja luftën e çlirimit
kombëtar kundër të huajit. Dhe Rusinë sovietike e paraqitnin si flamurtaren e luftës
kundër fashizmit për çlirimin e popujvet. Iu premtonin njëkohësisht fshatarëvet
reformën agrare, dhe gjithkujt liri e begati sa t'i donte zemra, shkurt, do të krijonin një
parajsë që populli se kishte parë as n'ëndërr. Por mbasi emri komunist tingëllonte keq
në Shqipëri, megjith premtimin e parajsës, dhe nën atë emër nuk mund të tërhiqnin dot
masat e gjera e ndonjë pjesë intelektualësh "progresistë", menduan djallëzisht të
loznin komedinë e krijimit të një t'ashtuquajturi "Front Nacional-Çlirimtar", ashtu siç
kishin bërë partitë e tjera komuniste tek popujt e Evropës lindore. Për këtë qëllim
organizuan një mbledhje në Pezë, më 16 Shtator 1942, ku kishin thirrur edhe disa
nacionalistë si jallan-shahitë. Ndonëse ca prej këtyre e kuptuan dredhinë dhe nuk e
nënshkruan rezolutën e Pezës, komunistët e quajtën sikur lidhja u bë, dhe luftën e tyre
e vazhduan nën maskën e "Frontit Nacional-Çlirimtar" që i fshihte partisë komuniste
turirin e ariut. Kjo maskë vazhdon edhe sot me t'ashtuquajturin "Front Demokratik" të
komunistëvet në "zgjedhjet legjislative". Megjithëqë manevra e krijimit të "Frontit
Nacional-Çlirimtar" duket e thjeshtë si një lodër fëmijësh, gënjeu goxha intelektualë
me diploma universitetesh, avoketër, doktorë e profesorë, të cilët e paguan pastaj
gabimin me jetën e tyre. Por m'e keqja ish se gënjeu shumë njerëz të thjeshtë, të cilët
besuan se komunistët luftonin me të vërtet për atë program që i shpallnin popullit.
Edhe këta e paguan shtrenjtë gabimin ose janë duke e paguar. Po n'atë mënyrë u
gënjyen edhe si antarë partie një pjesë e të rinjvet, që s'mund t'a kuptonin sesi do
t'ishte komunizmi në praktikë. U gënjyen të pakënaqurit, ata që patën vuajtur shumë
nën regjimet e mëparshm dhe që shkonin me mirëbesim se komunizmi do t'iu
përmirësonte jetesën. Por i tërë ai element i tërhequr në këtë mënyrë dhe që kishte një
farë ndienje njerëzore u kosit më vonë. Ata që sundojnë më në fund dhe mbeten zotër
të situatës në një parti komuniste janë nga gjakpirësit më mizorë, nga kriminelët më
shtazarakë, ambiciozët që kanë dështuar në çdo punë tjetër dhe që kujtojnë se të gjitha
fajet ua kishte sistemi shoqëror ose njerëzia mbarë. Partia komuniste shqiptare zhduku
jo vetëm ata që u shoqëruan me të në t'ashtuquajturën "Lëvizje Nacional-Çlirimtare",
po edhe të gjithë komunistët e orës së parë, antarët e vjetër të Komitetit Qendror,
kumandarët e çetavet, t'ushtërisë, përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, e ndonjë
të rralli si Hysni Kapua e Haxhi Lleshi. Gati të gjithë ata që drejtojnë aparatin dhe
shtetin komunist të sotshëm janë njerëz të krijuar pastaj. Kështu, kur këndon njeriu sot
historinë e luftës së komunistëvet të shkruar prej historianëve të regjimit, ka
përshtypjen e një vepërimi anonim, se përveç emravet t'Enver Hoxhës dhe të Mehmet
Shehut rrallëhere përmendet ndonjë tjetër. Disa që kanë lozur një rol të dorës së parë
në marrjen e fuqisë prej komunistëvet, nuk përmenden gjëkundi. Kur flitet për
formimin e Partisë dhe të të parit Komitet Qendror të saj, ngjarje që duhet të ketë një
rëndësi kryesore për historinë e lëvizjes komuniste shqiptare, e tërë përbërja e
Komitetit përmblidhet në një fjali: "Në këtë mbledhje u zgjodh Komiteti Qendror i
përkohshëm me Enver Hoxhën në krye". Jo vetëm që nuk zihen kurrë me gojë emrat e
Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, të cilët ishin ata që e zgjodhën Komitetin
Qendror, që e formuan dhe e kumanduan Partinë komuniste shqiptare, por nuk
përmendet asnjë tjetër prej antarëvet t'atij komiteti, sepse që të gjithë u qëruan me
pastaj. Mehmet Shehu nuk ishte në Shqipëri n'atë kohë e prandaj nuk përmendet as
ky. Po ashtu kur flitet për mbledhjen e Pezës prej së cilës dolli i ashtuquajturi "Front
Nacional-Çlirimtar", nga ana komuniste përmenden vetëm Enver Hoxha dhe Nako
Spiru. A ka provë më të qartë nga kjo për të vërtetuar se me çfarë mjetesh dhe
mënyrash mbahet në këmbë ajo parti?

Balli Kombëtar, në fillim, nuk i dha shumë rëndësi lëvizjes komuniste, duke e
menduar si një punë rrugaçësh që nuk do të gjenin dot pështetje nëpër fshatra. Kur e
kuptoi gabimin, ishte tepër vonë. Nga ana tjetër, edhe komunistët patën kujdes në
fillim t'a vinin në gjumë Ballin Kombëtar duke folur mirë për disa nga krerët e tij, që
kështu të mos gjenin kundërshtim nëpër krahina. Balli Kombëtar i la të lirë deri sa ata
lëshuan rrënjët e tyre si një ferrë e keqe.

Sipas historisë së shkruar prej komunistëvet, Balli Kombëtar u formua nga fundi i vitit
1942, "me nxitjen e pushtuësve italianë", për të kundërshtuar bashkimin e forcavet
atdhetare antifashiste që u bë në mbledhjen e Pezës nën udhëheqjen e Partisë
komuniste. Sikur t'ishte e vërtetë kjo, Balli Kombëtar do t'a kishte shtypur fare lehtë
n'atë kohë Partinë komuniste, e cila porsa kish nisur të shtrihej jashtë qytetevet. Por
historia e shkruar prej komunistëvet është, si gjithë të tjerat, një gënjeshtër e pregatitur
në zyrat e propagandës. Nuk ka rëndësi se në çfarë date Balli Kombëtar u çfaq me
këtë emër. Puna është se ai përbëhej prej atdhetarësh që e kishin kundërshtuar
pushtimin fashist që më 1939, që kishin dyndur demostratat, dhe që disa prej tyre
kishin hequr dy vjet burgim ose internim nëpër ishujt e Italisë. E ç'kishin bërë
komunistët gjatë asaj kohe? Asgjë deri në vjeshtën e vitit 1941, siç e vërtetojnë
raportet e emisarëve jugosllavë; por asgjë siç e vërtetuan edhe ata vetë kur e kritikuan
qëndrimin e tyre në rezolutën e së parës mbledhje të përgjithshme të Partisë, mbajtur
në Labinot t'Elbasanit, në Mars 1943. (Shih, "Gjaku i Trathëtuar" , ed. italisht, f. 4).
Pastaj, sikur Balli Kombëtar të kishte qënë një organizatë "e nxitur prej pushtuësve
italianë", si pranoi Partia komuniste të bënte lidhje me atë në mbledhjen e Mukajt, në
Gusht 1943?

Gjëja që duhet hedhur kategorikisht poshtë në lidhje me ngjarjet e asaj-kohe është


theoria komuniste e luftës së klasëvet, e cila s'u vërtetua gjëkundi në Shqipëri, as në
përbërjen e asaj partie as në shkaqet e luftës vëllavrasëse. Sepse ndarja midis atyre që
muarën anën e Partisë komuniste dhe të tjerëvet që u lidhën me Ballin Kombëtar nuk
u pështet n'asnjë kriter klasësh në kuptimin ekonomik të fjalës. Sepse nuk mund të
thuhet që malësorët e veriut, të cilët nuk lëvizën fare, ishin më të pasur nga ata të
jugës; ose, në jugë, Orthodoksit, që u bënë përgjithësisht komunistë, ishin më të
vobektë nga Myslimanët. Korça, që u tregua qyteti më komunist i Shqipërisë, ishte
njëkohësisht edhe m'i pasuri. Është e vërtetë që komunistët tërhoqën n'anë të tyre,
duke e magjepsur me ëndërra, një pjesë t'asaj kategorie shoqërore që s'kishte pasur
bukë të hante; por pjesa m'e madhe e saj, sidomos fshatarësia, u rreshtua në Ballin
Kombëtar. Pati në këtë organizatë mjaft djem të popullit, kurse djem e vajza të
bejlerëve e të tregëtarëve të mëdhenj, të cilëvet s'iu mungonte asgjë, u bënë
komunistë.

Mbasi natyra e lëvizjevet politike lidhet me mendësinë dhe shkallën e zhvillimit


shoqëror të një populli, si Partia komuniste ashtu edhe Balli Kombëtar bazën e tyre e
patën në Shqipërinë e jugës, mandej u shtrinë në të Mesmen dhe fort pak n'atë të
veriut. Në veri, ndonëse lidhjet e popullit pas krerëve e bajraktareve ishin dobësuar
fare - dhe askush prej këtyre nuk mund të ngrinte njerëz pa iu paguar të holla -
prapseprapë kuptimi politik kishte mbetur i ngushtë, brenda horizontit të krahinës.
Kurse në jugë, mendësia e popullit dhe zhvillimi shoqëror i tij nuk i duronin mënyrat
bajraktariste të qeverimit, prandaj aty do të kishte me doemos një lëvizje të rreptë për
të krijuar një rend të ri, sidomos që klasa drejtonjëse e vjetër kishte mbaruar
përgjithmonë. Prandaj theatri kryesor i lëvizjevet dhe i luftës civile u bë Shqipëria e
jugës. Për fat të keq, ndonëse populli shqiptar, në përgjithësi, ishte shkëputur prej
lidhjevet shoqërore të vjetra, nuk ishte pjekur akoma për të krijuar një rend të ri të
pështetur në një ekuilibër lirish demokratike: Kjo papjekuri solli luftën civile dhe, si
përfundim, komunizmin.
Shkasi i parë i çdo lëvizjeje politike është psikologjik më fort se sa ekonomik,
ndonëse edhe interesi ekonomik hyn si një shtytës i fuqishëm në krijimin e gjendjevet
psikologjike. Por sa popuj të mjeruar ka që nuk lëvizin fare, dhe sa të tjerë të pasur që
ndodhen në kryengritje të përhershme ! Prandaj edhe këtu theoritë marksiste duhen
mbajtur për të dyshimta. Siç e pamë më sipër, në Shqipëri, prirjet e kategorivet të
ndryshme shoqërore për komunizmin ose për Ballin Kombëtar duhen kërkuar më
shumë në shkaqet psikollogjike se sa ekonomike, domethënë shpjegimi i tyre do
t'ishte më fort punë e një psikanalisti se sa e një ekonomisti. Sepse, cilatdo qofshin
arësyet ekonomike e shoqërore që shtronte përpara njëri grup ose tjetri, shkaqet e
vërteta të prirjevet të tyre andej ose këtej qëndronin për secilin në fundet e errëta të
pavetëdijës. Përgjithësisht me komunizmin u hodhën ata tek të cilët ndjenjat
kombëtare ishin mjaft të dobëta, ose kishin qënë dikur mjaft të dobëta tek prindët dhe
rrethi familiar i tyre. U hodh andej ai lloj elementi që s'beson n'asnjë vleftë kombëtare
a morale, dhe që kërkon të përmbysi çdo gjë për të dalë vetë në krye të shoqërisë si
klasë e re. Nuk mund të thuhet se s'pati fare atdhetarë në Partinë komuniste. Mund të
kishte asish që besonin se Rusia sovietike do të sillte ndërmjet popujve dhe kombësive
t'Evropës një rregullim më të mirë nga ç'kishte parë Shqipëria deri atëhere prej fuqivet
imperialiste të Perëndimit. Kishte edhe asish që kujtonin se, përveç komunizmit ose
"Frontit Nacional-Çlirimtar", çdo regjim tjetër do t'ishte afër-ngjat si ai i Zogut. Por
këta elemente nuk patën kurrë një rol udhëheqës dhe më në fund u qëruan ca nga ca
(si për shembull, Mustafa Gjinishi, Gjergj Kokoshi etj.). Në krye të Partisë
ndodhëshin dhe mbetën ata që e mendonin komunizmin jo n'interes të kombësisë
shqiptare, por në funksion të proletariatit botëror ose në shërbim të Rusisë sovietike.
Për t'i lehtësuar kësaj peshën e luftës kundrejt Gjermanëvet e tërë Shqipëria duhej të
bëhej shkrumb e hi, edhe sikur të mbetëshin gjallë vetëm 300 djem e 300 vajza, siç
thoshte Mehmet Shehu. Si mund të quhet kombëtar një mendim e një vepërim i
këtillë? Tjetër punë sepse më vonë të kapur në peripetitë e konfliktit jugosllavo-
sovietik, ku rrezikonin jetën e tyre, dhe të shtrënguar nga ato rrethana, këta kriminelë
janë mbyllur brenda caqevet të Shqipërisë - mbasi Kina ndodhet shumë larg - dhe na
mallëngjejnë sot me "atdhetarin" e tyre.

Kurse me Ballin Kombëtar shkuan përgjithësisht ata që kërkonin një Shqipëri të


pavarur e demokratike, një Shqipëri të reformuar e të përparuar në shembull të botës
së Perëndimit. Me fjalë të tjera, ata që pajtonin në shpirt ndjenjën e drejtësisë
shoqërore me atë të mvehtësisë kombëtare dhe të dashurisë s'atdheut. Natyrisht, kjo
lloj ndarjeje në dy drejtime duhet kuptuar në vija të përgjithshme dhe jo si dy rrathë të
hekurt: se pat edhe oportunistë, përfitonjës, njerëz më të mirë ose më të këqij, nga
njëra anë e nga tjetra.

Shqipëria e jugës u bë theatri kryesor i lëvizjevet, sepse aty popullsia, duke qënë m'e
zhvilluar, kërkonte t'arrinte në pavarësinë e plotë kombëtare dhe në një regjim politik
e shoqëror më të përparuar. Ndarja e grupeve të ndryshëm ndërmjet Ballit Kombëtar,
që desh të pajtonte traditën kombëtare me një regjim politik e shoqëror në shembull të
Perëndimit, dhe Partisë komuniste, që donte të përmbyste çdo gjë për të krijuar gjoja
një botë të re, u bë, siç thamë, për arësye psikologjike më fort se sa ekonomike. Ishte e
kuptuarshme që djalëria e rrëmbyer, punëtorë, shegerta e zejtarë të qytetevet, vajza të
pamartuara dhe aventurierë të çdo lloji të hidhëshin me komunizmin, i cili iu
predikonte se dituria dhe parimet morale s'kishin asnjë vleftë dhe se, duke përmbysur
rendin shoqëror të deriatëhershëm, do të krijonin parajsën në tokë si në përrallat e
Njëmijë-e-Një Netëvet. Ishte e kuptuarshme gjithashtu që shumica e fshatarëvet, e
lidhur pas zakonevet, pas dashurisë së vendit, dhe duke e pasur më të zhvilluar
intuitën e realitetit, t'anonte nga Balli Kombëtar, sikurse një pjesë e shkollarëvet të
vetëdijshëm. Por kishte edhe disa arësye psikologjike më të thella që ndihmuan
komunizmin. Djemtë e bejlerëvet, për shembull, që e kishin humbur rëndësinë si klasë
e vjetër sundonjëse, u hodhën përgjithësisht në komunizmin për të dalë përsëri në krye
të shoqërisë nëpër një tjetër sistem organizimi. Po ashtu disa bij turkomanësh, që
s'kishin thithur në familje ndjenjë kombëtare, siç ishte rasti i Mehmet Shehut, i ati i të
cilit kishte qënë me Rebelët më 1914. Faktori psikologjik u vërtetua gjithashtu n'anën
e fevet dhe të klerit. Dihet se fetë lidhen ngushtë me kulturën e kohës, e cila formon
mendësinë ose botëkuptimin e njeriut. Kur kultura ndryshohet nëpër proçesin e
zhvillimit dhe fetë mbeten si një anakronizëm, janë të dënuara të bjenë poshtë ashtu
siç kanë rënë të gjitha besimet pagane të kohëve të vjetra. Prandaj Kishat protestante e
katolike janë duke bërë përpjekje të vazhduarshme për t'ardhur në pajtim me kulturën
e kohës pa u shmangur, natyrisht, nga parimet morale të tyre. Kurse në fetë
myslimane e orthodokse nuk është ose nuk ishte bërë një përpjekje e këtillë, kleri i
tyre nuk nderohej më, ndjenja fetare ishte ftohur, vendin e saj duhej t'a zinte diçka
tjetër: feja marksiste. Kështu një pjesë e mirë e klerit mysliman,
sidomos dervisha e shehlerë, dhe pothuajse i tërë kleri orthodoks u bënë komunistë.
Por ajo që pati rëndësi vendimtare në marrjen e fuqisë prej komunistëvet ishte
qëndrimi i popullsisë orthodokse, e cila përgjithësisht përfaqoi komunizmin. Edhe
këtu nuk hynte si shkak kryesor arësyeja ekonomike, sepse Orthodoksit, duke pasur në
dorë tregëtinë dhe pothuajse të gjitha mjeshtëritë, hanin një kafshatë bukë më mirë
nga shumica e Myslimanëvet. Por kishte tre shkaqe psikologjikë: e para, ata që kishin
qënë dikur grekomanë nuk mund të merrnin ndjenja të flakta shqiptare gjatë njëzet
vjetëve, prandaj në komunizmin gjenin diçka asnjanëse, as shqiptare as greke; e dyta,
në pavetëdijën e tërë komunitetit (edhe tek ata që kishin qënë atdhetarë të mirë)
mbizotëronte një ndjenjë e vjetër kundrejt Myslimanëvet (ndjenja e natyrshme e
pakicës kundrejt shumicës), dhe çdo regjim kombëtar e shikonin si një sundim
të bejlerëvet dhe t'agallarëvet ; e treta, mbasi Orthodoksit kishin qënë elementi m'i
dhënë pas punës, pas mjeshtërivet dhe kurbetevet, ishin më të gatishëm për të pranuar
idenë komuniste, të cilën e gjenin më të drejtë në planin shoqëror dhe ndoshta më të
përshtatshme në planin kombëtar. Kështu me të hollat që vuri në shërbim të
komunizmit borgjezia orthodokse, e cila ishte ndoshta m'e pasura në Shqipëri, dhe me
kuadrat që i dha partisë komuniste elementi orthodoks (si propagandë, organizim,
ndërlidhje, celulistë, komisarë politikë e shërbime të ndryshme), i cili ishte elementi
m'i mësuar e m'i disiplinuar, partia komuniste u bë një forcë e patundshme dhe këtu
qëndron arësyeja kryesore e triumfit të saj. Korça, që kishte qënë dikur djepi i lëvizjes
kombëtare në jugë, u bë djepi i komunizmit. Ndoshta sepse aty liceu frëng dhe lidhjet
e shumëta me kurbetet kishin krijuar një gjendje mendore më të përshtatshme për të
marrë idetë komuniste. Kurse si forcë e armatosur dhe si bazë ushtarake, krahina që i
shërbeu më shumë komunizmit ishte Kurveleshi; dhe kjo nuk shpjegohet prej
vobekësisë së vendit, por sepse Kurveleshasit kanë qënë gjithmonë të gatishëm për
aventura armësh që në kohën e Turqisë. Për t'a mbyllur me arësyet psikologjike, duhet
të shtojmë se, në një psikozë lufte, natyra trubullonjëse e të rinjvet, që s'mendojnë
veçse vrasje, përmbysje e rrëmujë, pajtohej më mirë me lëvizjen komuniste që i
shtynte në këtë drejtim dhe me "lavdinë" e ushtërivet sovietike që po iu qëndronin
armatavet të Hitler-it.

Siç shihet, lëvizja komuniste, në Shqipëri, nuk ishte luftë klasësh as kryengritje
proletare.

Pas Shqipërisë së jugës, Balli Kombëtar dhe Partia komuniste kishin bazat e tyre edhe
në Shqipërinë e Mesme dhe n'atë të veriut. Organizimi i Ballit u përhap në Shkodër,
në rrethet e Dukagjinit e të Malësisë së Madhe, por sidomos në Kosovë e krahina të
Maqedonisë. Kurse Partia komuniste kishte një pjesë të djalërisë së Shkodrës, disa
krerë të Dibrës, si Lleshët dhe ca familje të tjera që patën qënë kundërshtare të Zogut
ose mike të Jugosllavisë por mbahej sidomos në Shqipërinë e Mesme me bazën e
Pezës. Kurse pjesa m'e madhe e djalërisë, në Tiranë dhe të tjera qytete të Shqipërisë së
Mesme, ishte me Ballin.

Mbasi formuan dhe disiplinuan kuadrat nëpër qytetet gjatë një viti, gjithmonë ndën
drejtimin e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës që merrnin çdo vendim,
ndanin çdo gjyq dhe mbyllnin çdo grindje në gjirin e Partisë, komunistët filluan nga
atentatet. Vranë më parë ca agjentë shqiptarë të policisë fashiste për t'i detyruar të
tjerët që të vihëshin në shërbim të tyre. Dhe kjo mënyrë vepërimi ia arriti aq shpejt
dhe aq plotësisht qëllimit, sa që s'do të kishte mundur kurrë asnjë tjetër predikim,
ndjenjë a propagandë, cilatdo që t'ishin. Sepse, në pak kohë, jo vetëm policia fashiste
shqiptare u vu në shërbim të komunistëvet dhe i mpronte e i çonte me veturat e saja
prej një qyteti në tjetrin, por deri prefektat dhe ish-ministrat e administratës fashiste i
mbanin komunistët nëpër shtëpitë e tyre, qoftë sepse kishin frikë nga ndonjë atentat,
qoftë sepse djemtë dhe vajzat e tyre ishin bërë komunistë. Tjetër punë sepse sot në
mërgim ata që kanë mbetur gjallë prej atyre shkëlqesave s'pushojnë së predikuari
"bashkimin" kundër komunizmit !
Kur patën siguruar një numër të fortë bazash dhe kuadrash nëpër qytetet, komunistët u
hapën fshatravet për të shtirë në dorë krahinat. Nxuarrën në "mal" sidomos ata që
kishin kryer vrasje nëpër qytetet dhe ndiqëshin prej karabinierisë italiane. Por mbasi
nëpër fshatra e malësi nuk kishin baza, u ngjitën pas disa kriminelëve t'arratisur për
vrasje e vjedhje, siç ishte Myslim Peza në Shqipërinë e Mesme, i cili jeton edhe sot
me gradën gjeneral. Në qarqet e Beratit dhe të Korçës gjetën si kriminelë t'arratisur:
një farë Mestan Ujaniku, që kishte vrarë të mbesat e tija për t'iu marrë mallin; një farë
Shaqir Kapinova, që përdorej në kohën e Zogut si dorëvrasës i fshehtë me pagim prej
atyre që kishin për të marrë gjaqe dhe që, në kohën e pushtimit italian, pati çfarosur të
tërë një familje barinjsh për t'iu rrëmbyer bagëtitë; një farë Riza Kodheli që kishte
qënë kumandar milicie fashiste; dhe dy shokë të këtyre, Asllan Gurra dhe Agush
Gjergjevica. Të gjithë këta i tërhoqën me të hollat që paguanin tregëtarët e Korçës,
dhe rreth këtyre "heronjve" (siç i quante më vonë emisioni shqip i Radios së Londrës)
formuan çetat e para komuniste. Po ashtu bënë nëpër krahina të tjera. Mbasi u futën në
këtë mënyrë, krijuan ca nga ca kuadrat fshatare, me nxënës shkolle, mësuësa, ish
nëpunësa ose graduatë ushtërie, zejtarë e kurbetlinj, sidomos djem ambiciozë të cilëve
iu bënin të gjitha premtimet dhe iu merrnin mendjen me anën e vajzavet t'ardhura prej
qytetesh. Për të gënjyer masat e gjera, bënin për vehte klerin dhe
ca qelepirxhinj fshatrash që mbahëshin si parësi. Kështu mundën të krijonin edhe
nëpër krahinat celulat e partisë, çetat dhe njësitë ushtarake të tyre të drejtuara prej
komisarëvet politikë, ndonëse në dukje kumandohëshin prej ndonjë kapadaiu vendas, i
cili nuk luante dot më as djathtas as majtas se e ndiente grykën e kobures prapa kokës.

Me gjithë kundërshtimin midis tyre, çetat e Ballit Kombëtar dhe të komunistëvet nuk
erdhën në përpjekje me armë gjer në vjeshtën e vitit 1943. Patën bërë gjatë asaj kohe,
veças ose së bashku, disa vepërime kundër forcavet fashiste duke i detyruar ato t'i
lëshonin postkumandat e krahinavet dhe të mblidhëshin nëpër qytetet. Kështu
qëndresa shqiptare u bë e dëgjuar edhe përjashta. Më 10 Dhjetor 1942 Sekretari i
Shtetit Amerikan, Cordell Hull, e përmendi qëndresën e vazhduarshme të popullit
shqiptar kundër forcavet të pushtimit fashist, i premtoi ndihmë, dhe jepte sigurime për
të përkrahur në t'ardhmen pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Nga një shpallje
zyrtare t'atillë bënë njëri pas tjetrit edhe ministrat e Punëve të Jashtëme t'Anglisë dhe
të Rusisë sovietike. Por shpallja e ministrit britanik, Anthony Eden, për të mos
zemëruar Grekët, shtonte se kufijtë e shtetit shqiptar pas Luftës, në rast se nuk do të
gjenin dot një rregullim të drejtpërdrejtë me fqinjët, do të bisedohëshin edhe njëherë
në konferencën e paqes.

Deri n'atë kohë, ndonëse kishte disa çeta komuniste aty-këtu, pothuajse e tërë masa
fshatare e malësore e Shqipërisë së jugës ishte ndën drejtimin e Ballit Kombëtar.
Italianët me qeverinë kukëll të Mustafa Krujës, kur panë se politika e këtij për afrimin
e rrymavet nacionaliste dështoi, vendosën të bënin një operacion të gjerë në jugë për
të shtypur bërthamat e qëndresës. Për këtë qëllim dërguan në Vlorë dhe në Berat, dy
bazat ngaha do të nisej operacioni, fuqi të mëdha të përbëra prej Italianësh dhe
merçenarësh të rekrutuar si milici fashiste në disa malësi të veriut. Nga Vlora fuqitë
fashiste u nisën për operacion në drejtim të Mesaplikut. Por tek Ura e Gjormit i priste
kumandanti i çetavet të Ballit Kombëtar t'asaj krahine, Hysni Lepenica, i cili i goditi
më 1 Jenar 1943, i shpartalloi dhe i bëri të këthehëshin në Vlorë. N'atë betejë mbeti i
vrarë edhe kumandari italian i operacionit, kolonel Clementis.

Në të njëjtën kohë, auktori i këtij studimi ngriti në këmbë Skraparin, Tomorricën,


Nahijen e Beratit, Sulovën, dhe rrethoi Beratin. Fuqitë fashiste që ndodhëshin në
qytet, duke parë se ç'ngjau në Vlorë, nuk guxuan të delnin jashtë por mbetën nën
mprojtien e tanksavet dhe t'artilerisë. Dy javë më vonë, kumanda italiane, duke
përdorur të gjitha fuqitë e Beratit dhe të Kuçovës, provoi t'iu bënte natën një rrethim
për vdekje çetavet të Ballit Kombëtar që ndodhëshin në Lapardha. Partia komuniste, e
cila kishte agjentë n'ushtërinë italiane, ishte në dijeni të këtij plani. Dy djelmosha që
bënin pjesë në të por që kishin simpathi edhe për Ballin, veçanërisht për auktorin e
këtij studimi, erdhën dhe e lajmëruan këtë në mes të natës, pa lejën e Partisë. Kështu
që ky, deri përpara mëngjezit, mundi të merrte masat për t'i shpëtuar rrethimit dhe për
t'i vënë Italianët kundrejt një befasie nga e cila u tërhoqën të shpartalluar. Atëhere
Partia komuniste nuk mungoi të hidhte një trakt plot mburrje për kumandarin "patriot"
të Ballit. Mirëpo sot, kur këndon njeriu historinë e tyre, këto ngjarje ose i kalojnë në
heshtje ose i paskan bërë ata! Luftën e Gjormit e kanë përvetësuar paturpësisht dhe s'e
përmendin fare emrin e Hysni Lepenicës.

Pas këtyre ngjarjeve, qeveria e Mustafa Krujës dha dorëheqjen, në Jenar 1943, dhe u
formua një tjetër qeveri bejlerësh nën kryesinë e Eqrem Libohovës. Po edhe ky, pas
një muaji, ia lëshoi vendin Maliq Bushatit. Ishte krijuar një gjendje e atillë që asnjë
qeveri fashiste s'mund të qëndronte në Tiranë.

Gjatë vitit 1943, fuqitë e Ballit Kombëtar u përpoqën shumë herë me Italianët, në
qarkun e Beratit, sidomos në Mallakastër, në qarqet e Vlorës, të Korçës, t'Elbasanit.
Po edhe Partia komuniste erdhi duke u forcuar me anë t'organizimit të saj, të
disiplinës, të dinamizmit të të rinjvet, t'enthusiazmit që ngjallnin fitoret e ushtërisë
sovietike, dhe sidomos me anën e tmerrit dhe të zhdukjes rrënjësore të çdo sektarizmi
në radhët e saja.

Në prendverën e vitit 1943, arriti në Shqipëri i pari mision ushtarak britanik nën
kumandën e kolonelit Maclean. Mbasi misioni pat rënë me parashutë në Greqi, EAM-i
grek e përcolli tek komunistët shqiptarë. Këta deshën t'a mbanin të rrethuar, duke i
prerë çdo mundësi takimi me qendrat e Ballit Kombëtar, për t'a shfrytëzuar ndihmën
britanike n'interes të Partisë së tyre. Auktori i këtij studimi dërgoi një fuqi në mal të
Leshnjës, e cila hyri përmes rojevet komuniste dhe i dorëzoi kryetarit të misionit
britanik një shkresë që e ftonte këtë të merrte sa me shpejt takim me kumandën e
Ballit Kombëtar për të vërtetuar identitetin e tij. Takimi u bë pas pak ditësh në
katundin Përrenjas të Tomorricës. Ndonëse misioni britanik desh t'a siguronte Ballin
Kombëtar se ai do të tregohej i paanshëm në çështjet e brendëshme të Shqipërisë dhe
se do të ndihmonte vetëm luftën kundër pushtonjësit fashist, u kuptua që në fillim se
Anglia, për t'i ndëjtur besnike marrëveshjes me Rusinë, ndihmoi deri në fund
"Lëvizjen Nacional-Çlirimtare", domethënë komunistët. Më vonë ranë në Shqipëri me
parashuta ose erdhën prej Greqie a prej Jugosllavie të tjera misione ushtarake
britanike, por ndihmat që i dhanë Ballit Kombëtar qenë fare të parëndësishme dhe të
papërdorshme (pak armë anti-ajrore dhe anti-tanks auktorit të këtij studimi). Kurse
komunistëvet iu dhanë gjithëçka, armë e municione, veshmbathje e të holla, dhe këta
ia tregonin popullit këto ndihma si një provë që nuk ishin komunistë por "Nacionial-
Çlirimtarë" qyshse ndihmohëshin edhe prej Anglisë. Pastaj Radio e Londrës dhe, më
vonë, ajo e Barit i merrnin mendjen njerëzisë me propagandën që bënin për Lëvizjen
Nacional-Çlirimtare, domethënë për komunizmin.

Gjatë prendverës së vitit 1943 Italianët provuan të bënin disa operacione


shkatërronjëse nëpër ato vende ku mund të punonte tanksi dhe kalorësia, domethënë
në fushat dhe rreth qytetevet. Bënë dëme të mëdha sidomos rreth Fierit dhe në
Mallakastrën e Poshtëme, duke fuqizuar një kriminel të vendit, Isa Toska, i cili kreu
vrasje, djegie e mizori të hatashme. Kjo pat qënë sjellja m'e keqe e kumandës italiane
në Shqipëri, e cila iu dha fuqinë lamashëvet për të kryer mbi popullin ato që s'mund t'i
bënte vetë një ushtëri e rregullt. Në rrethet e Fierit dhe të Mallakastrës u vranë lart nga
2.000 frymë dhe ranë mjaft dëshmorë të Ballit Kombëtar.

Të ndihmuar nga misionet ushtarake britanike dhe duke parë se Italisë fashiste po i
qasej fundi, komunistët bënë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm "Nacional-
Çlirimtar", gjithmonë në Labinot t'Elbasanit, në fillim të Korrikut 1943, në të cilën
krijuan "Shtabin e Përgjithshëm t'ushtërisë nacional-çlirimtare" me kumandar Spiro
Moisiun dhe komisar politik Enver Hoxhën. Një muaj më vonë, më 15 Gusht, me
armatimin që iu dha misioni ushtarak britanik dhe në prani të tij, formuan në Vithkuq
të Korçës Brigadën e parë Sulmuëse, me kumandar Mehmet Shehun dhe komisar
politik Dushan Mugoshën. Duhet shënuar këtu se, përveç armatimit që muarën nga
misionet ushtarake të jashtëme dhe nga Italianët e dorëzuar, komunistët kishin
mbledhur një pjesë të mirë t'armëvet që la me shumicë ushtëria greke kur u tërhoq
papritmas, e goditur prej Gjermanëvet, në Prill 1941. Patën mbetur me atë rast në
Shqipërinë e jugës aq armë e municione sa të luftonin dy "mbretëri". I tërë ai ferr
zjarri e shkatërrimi u përdor më vonë, në Luftën civile, prej të dy anëvet.

Komunistët kishin filluar nga atentatet kundër disa antarëve të Ballit Kombëtar qysh
në prendverën e vitit 1943. Por i shumëzuan ato mbasi e ndien vehten më të fortë dhe
ndërkombëtarisht të përkrahur, e sidomos pas formimit të Brigadës së I-rë, të cilën
Mehmet Shehu desh t'a pagëzonte me gjak Ballistësh.

Megjith durimin që tregoi Balli Kombëtar, gjithkush e ndiente me tmerr në zemër se


punët do t'arrinin fatalisht në tragjedinë e një lufte civile. Kishte kundërshti të
papajtuarshme ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Partisë komuniste. Kjo e fundit drejtohej
prej dy emisarëve jugosllavë, qëllimin e të cilëvet e muarën vesh edhe komunistët vetë
pak më vonë. Kurse Balli Kombëtar ishte ndën kryesinë e Midhat Frashërit,
udhëheqës i provuar, që përfaqësonte traditën e vërtetë nacionaliste dhe aspiratat e
drejta të kombit shqiptar. Balli Kombëtar mundohej t'i tregonte popullit sesi qëndronte
e vërteta, sesi paraqitëshin problemet dhe mundësitë e tija dhe si parashihej e ardhmja
e Shqipërisë. Kurse Partia komuniste i tregonte ëndërra fantastike, prralla fëmijësh,
dhe e gënjente në mënyrën më të paturpshme duke i thënë së bardhës "e zezë" dhe së
zezës "e bardhë". Balli Kombëtar, që mundohej të ruante kasollen e bujkut dhe të
kursente deri pikën e gjakut shqiptar - prandaj e goditte armikun nëpër vende ku
s'mund të dëmtohëshm banesat dhe popullsia civile - ishte gjithmonë në kundërshtim
me taktikën e komunistëvet, të cilët quanin "luftë" disa pushkë që hidhnin mbi forcat
fashiste nëpër qendrat e popullsuara, me qëllim që armiku të bënte për hakmarrje
djegie e vrasje në masë mbi popullin rreth e qark, se ashtu mund të shtohej numri i
"proletarëvet", i t'arratisurvet që do të shumonin radhët komuniste. Një tjetër problem
që e vinte Ballin Kombëtar në kundërshtim të papajtuarshëm me Partinë komuniste
ishte çështja e Shqipërisë Ethnike. Dihej se Kosova e Çamëria kishin qënë shkëputur
nga zgjedha jugosllave e greke prej fuqivet të Boshtit, dhe se bashkimi i tyre me
Shqipërinë nuk mund të quhej çështje e rregulluar. Balli Kombëtar ishte i pari që e
kuptonte atë punë, dhe çlirimin e atyre krahinave nuk e lidhte me rrethanën e një
fitoreje të përkohshme të Gjermanisë naziste, por me të drejtën e vetvendosjes së
popujvet që mbahej si parimi themeltar i Kartës s'Atlantikut, shpallur prej Roosevelt-it
dhe Churchill-it më 14 Gusht 1941. Që popullsia e Kosovës, ose edhe e Çamërisë,
t'ishin në gjendje për t'a kërkuar dhe për t'a mprojtur atë të drejtë, duhëshin organizuar
dhe ndihmuar prej vëllezërve të tyre të Shqipërisë politike. Nëpër këtë rrugë e
kuptonte Balli Kombëtar çlirimin e atyre krahinave dhe kjo ishte lufta që ai desh të
bënte për Shqipërinë Ethnike. Por si mund t'a pranonte një gjë të tillë Partia
komuniste, e cila ishte organizuar dhe drejtohej prej Jugoslllavëvet? "Puna e
"Shqipërisë së Madhe" është puna e Shqipërisë së vajtuarshme, është vuajtja e
vëllezërvet tanë të Kosovës; kjo "Shqipëri e Madhe" fashiste është lodra e hidhur në
kurriz të popullit tonë dhe t'atij të Kosovës" - shkruante Enver Hoxha n'atë kohë.
Bravo! Enver, që e parashikove aq bukur lumtërinë e ardhshme të vellezërvet tanë të
Kosovës!
Megjithatë, për të larguar fantazmën tmerronjëse të luftës civile, Balli Kombëtar duroi
të gjitha provokimet, shpifjet, cinizmin e komunistëvet, si edhe vrasjen e sa e sa
antarëve. Kërkoi me të gjitha mjetet të vinte në një marrëveshje me atë stuhi prej ferri.

U duk një çast sikur ngjarjet ndërkombëtare do t'i detyronin të dy palët t'afrohëshin.
Trupat britanike dhe amerikane zbritën në Siqeli, më 10 Korrik 1943. Më 25 t'atij
muaji ra nga fuqia Mussolini, i arrestuar me urdhër të mbretit, dhe n'Itali u formua
qeveria e Mareshalit Badoglio, që nënshkroi armëpushimin me Aliatët më 3 Shtator.

Ishte koha për të marrë vendime heroike për shpëtimin e atdheut. Balli Kombëtar i
bëri thirrje Partisë komuniste për bashkimin e dy organizatavet në një forcë të vetëme
kombëtare. Natyrisht, nuk ishte puna që njëra prej atyre të hynte ndën urdhërat e
tjetrës; por të bashkëpunonin të dyja tok për shpëtimin e vendit dhe t'ia linin votës së
lirë të popullit, zgjedhjen e mënyrës së qeverimit. Pas një takimi të parë midis
përfaqësonjësve të Ballit Kombëtar dhe të Partisë komuniste, në katundin Tapias, afër
Tiranës, më 26 të Korrikut, u caktua që të bëhej një mbledhje e të dy palëvet në
Mukaj, një fshat afër Krujës, më 1 e 2 Gusht 1943. Kjo është Mbledhja e Mukajt që
gëzoi për një çast tërë Shqipërinë, por që ca ditë më vonë shpresat e saja u mbytën në
një pus trathëtie e gjaku.

Në Mukaj, të dy përfaqësitë ranë n'ujdi që të formonin një Komitet të përbashkët për


Shpëtimin e Shqipërisë. Të dy palët do të luftonin kundër pushtonjësit fashist dhe çdo
armiku tjetër që mund të sulmonte tokën shqiptare. Të dy palët do të luftonin për një
Shqipëri të pavarur dhe ethnike. Forma e regjimit do të zgjidhej prej popullit vetë pas
çlirimit të vendit. Komiteti i përbashkët do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe do
të shpërndahej porsa që të formohej një qeveri e përkohshme.

Kjo marrëveshje shkaktoi, siç thamë, një gëzim të përgjithshëm dhe bota, pas një
ankthi aq të gjatë, nisi të merrte frymë lirisht. Por komunistët, me shtytjen e
emisarëvet jugosllavë, e prishën marrëveshjen e Mukajt disa javë më vonë, në një
mbledhje që bënë në Labinot t'Elbasanit, dhe filluan luftën me armë kundër Ballit
Kombëtar duke e quajtur "organizatë fashiste dhe bashkëpunonjëse me okupatorin".

Shkakun dhe mënyrën e prishjes së marrëveshjes së Mukajt i tregojnë mirë emisarët


jugosllavë, të cilët ishin ata që e kumandonin Partinë komuniste shqiptare. "Shokët
delegatë (shqiptarë) ranë në Mukaj në pozitat e nacionalistëvet, plot oportunizëm, dhe
u kënaqën vetëm me ndonjë ndërrim të thjeshtë fjale ose fjalie", shkruanin ata më 13
Tetor 1943. Por le të nxjerrim këtu disa rreshta nga libri i bardhëjugosllav, botuar më
1949: "Disa antarë të Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare, ndër të cilët
edhe Enver Hoxha, iu jepnin tepër rëndësi bisedimevet për marrëveshje me Ballin
Kombëtar dhe nuk donin të zbatonin vendimet mbi krijimin e një ushtërie
nacionalçlirimtare (komuniste), pse kishin frikë se mos zgjuanin dyshime në Ballin
Kombëtar dhe dështonte marrëveshja... etj.

"...Kështu u arrit në kapitullimin e turpshëm t'antarëvet të Komitetit Qendror të Partisë


komuniste shqiptare përpara drejtonjësvet të Ballit Kombëtar, në Konferencën e
Mukajt, më 1 dhe 2 Gusht 1943...

"...Në rezolutën e nënshkruar (ndërmjet Partisë komuniste dhe Ballit Kombëtar), në


vend të përshendetjes "Vdekje Fashizmit -Liri Popullit" u vu fjala nacionaliste "Ja
vdekje -Ja Liri". Ndër detyrat e Komitetit për Shpëtimin Kombëtar figuronte edhe
krijimi i "Shqipërisë së Madhe", parrullë me të cilën vepronin pushtuësit italianë,
gjithë qeveritë kuislinge, Balli Kombëtar dhe trathëtarët e tjerë... ...Në vigjiljen e
Konferencës së Mukajt, shoku Zvetozar Vukmanoviç-Tempo kishte arritur rishtaz
pranë selisë së Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare, që ndodhej në
katundin Kucakë. Në mbledhjen e Komitetit Qendror, me kërkesën dhe insistimin e
Koçi Xoxes, ai parashtroi pikëpamjen e tij në lidhje me qëndrimin kundrejt Ballit
Kombëtar...

...Mbasi u vu mirë çështja edhe nga ana e Koçi Xoxes dhe e shumicës së Komitetit, u
muar më në fund qëndrimi që duhej: Komiteti Qendror i P.K shqiptare e dënoi
trathëtinë e turpshme të Mukajt...

...Menjëherë pas Konferencës së Mukajt u thirr në Labinot Konferenca e dytë e


Komitetit Qendror të "Lëvizjes NacionalÇlirimtare", në gji të së cilës u muar një
qëndrim i qartë e i prerë kundër Ballit Kombëtar".

Ky "qëndrim i qartë e i prerë" që mori Partia komuniste kundër Ballit Kombëtar, me


shtytjen e emisarit jugosllav Vukmanoviç-Tempo, ishte prishja e marrëveshjes së
Mukajt dhe shpallja e Luftës civile.

Në Konferencën e dytë të Labinotit, e cila u mblodh më 4 Shtator, Enver Hoxha, për


të larë vehten e tij përpara emisarëvet jugosllavë, tregohet m'i rreptë nga të tjerët
kundër Ballit Kombëtar, marrëveshjes së Mukajt dhe atyre që e nënshkruan:

"Çështja e independencës u bisedua gjatë, po ashtu edhe çështja e Kosovës. Kjo


çështje ka shërbyer edhe për Mustafa Krujën si mollë sherri, grindjeje e përçarjeje...
Lufta jonë nacional-çlirimtare është një luftë popujsh, e përbashkët, krahas me aleatët
kundër Boshtit... Populli shqiptar, që ka vuajtur, nuk do të dojë të skllavërojë tjetrin,
që ka vuajtur si ai, e kësisoj reciprokisht. Kjo luftë i ka bashkuar popujt... Ne kemi
mprojtjen e Bashkimit Sovietik, mprojtësin e shteteve të vogla dhe të gjithë popujve...
Pra vetë popullsitë në mes të tyre, në Kosovë, do të merren vesh dhe do të vendosin se
nga të shkojnë... Delegatët tanë kanë diskutuar por nuk kanë ditur të mbrojnë
pikëpamjet e tyre dhe e nënshkruan proçes-verbalin (e vendimevet të Mukajt). U shtua
edhe një gjë tjetër: "Shqipëria Etnike". Kështu që pranohet teza e Ballit Kambëtar, i
cili nuk bën luftë nacional-çlirimtare por lufton kundër nesh..." (Shih veprën Enver
Hoxha, botuar në Tiranë më 1968, vëllim i I-rë, faqe 357-360).

Kokë e madhe politike ky Enver Hoxha! E parashihte se në Kosovë popullsitë do të


merrëshin vesh vetë në mes të tyre se nga të shkonin, dhe se Bashkimi Sovietik do të
mpronte shtetet e vogla dhe gjithë popujt! Ashtu ngjau me të vërtet pastaj... siç po e
sheh sot tërë bota, deri edhe koka e Enver Hoxhës.

Pak ditë pas Konferencës së dytë të Labinotit, ku u dënua mendimi i Shqipërisë


Ethnike dhe Enver Hoxha provoi me argumenta aq të forta se popullsitë në Kosovë do
të merrëshin vesh vetë midis tyre se nga të shkonin, batalioni komunist i Haxhi Lleshit
hyri në Dibrën e Madhe, mbasi ndodhej afër dhe s'kishte mbetur aty asnjë autoritet,
dhe ngriti menjëherë këshillin nacional-çlirimtar të përbërë prej Shqiptarëve dhe
Maqedonasve (ndonëse këta të fundit s'janë as dhjetë për qind në Dibrën e Madhe).
Kur ç'të dëgjojë njeriu? Partia komuniste jugosllave, me anën e dy letrave nënshkruar
prej Vukmanoviç-Tempos, me datë 13 dhe 23 Shtator 1943, lëshoi rrufetë mbi
Komitetin Qendror të Partisë komuniste shqiptare duke kërkuar largimin e
menjëhershëm të batalionit të Haxhi Lleshit nga Dibra e Madhe si edhe vënien e
shtabit shqiptar nën kumandën e shtabit maqedonas. Dhe Enver Hoxha i paturpshëm
ankohej sesi Vukmanoviç-Tempo-ja "akuzonte në mënyrë shpifëse shokun Haxhi
Lleshi, komisarët politikë shqiptarë dhe Komitetin Qendror të Partisë komuniste
shqiptare si shovinistë dhe shqiptaromëdhenj ". Këto dy fjalët e fundit i quante si një
njollë Enver Hoxha! Kurse Jugosllavët nuk ishin jugosllovomëdhenj kur s'pranonin të
shkelte këmbë ushtari shqiptar në Dibrën e Madhe ndonëse aty popullsia ishte
nëntëdhjetë për qind shqiptare, kur deshën më vonë të merrnin Trieshtën e të tjera
toka, dhe kërkuan t'a bënin Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë! (Shih mbi
ngjarjen e sipërme, veprën Enver Hoxha, vëllim i I-rë, faqe 391 dhe 508).

Porsa e prishi marrëveshjen e Mukajt, Partia komuniste ose "Lëvizja nacional-


çlirimtare", duke e paditur Ballin Kombëtar si organizatë "fashiste" e "tradhëtare" dhe
duke e mbuluar me të gjitha të zezat, e goditi befas që prapa krahëvet, në një kohë kur
ky po pregatitej t'iu qëndronte trupavet gjermane, të cilat po zbrisnin për të zënë
vendin e ushtërisë italiane të kapitulluar. Atentatet filluan në të katër anët kundër
antarëvet të Ballit, me një egërsi që s'ishte parë kurrë ndërmjet Shqiptarësh. Kudo që u
kapën njerëz të kësaj organizate (të cilët nuk e prisnin një gjë të këtillë) u vranë e u
therën në mënyrën më barbare, shpeshëherë duke iu nxjerrë syt, duke iu prerë veshë e
hundë ose duke iu thyer kockat në tortura. Në një gropë të madhe që zbuloi Balli
Kombëtar tek Përroi i Shipkës (në qarkun e Korçës), në Jenar 1944, gjeti 185 kufoma
t'anëtarëvet të tij, masakruar në mënyrën më çnjerëzore, ku, midis cenevet te tjera,
kishte edhe te rjepur ose të mbathur për së gjalli me gozhdë e potkonj kali. Më 21
Tetor 1943, Mehmet Shehu zuri afër Lushnjës 68 bujqër, ushtarë të thjeshtë të Ballit,
dhe i vrau që të gjithë mbasi i vuri të hapnin më parë gropën e tyre të përbashkët. As
fëmijët nuk i shpëtonin dot thikës së komunistëvet. Në Gjirokastër, për shembull, kur
vranë barbarisht një grup nacionalistësh ndër të cilët edhe Muzafer Shehun, nuk
kursyen as të birin e këtij pesëmbëdhjetë vjeçar, Duron, të cilin e therën me thikë
përpara syvet dhe nëpër duart e s'ëmës. Ngado që shkonin komunistët digjnin me urë
në dorë shtëpitë e Ballistëvet, domethënë shtëpitë e fshatarëvet të Toskërisë ndërtuar
me djersë kurbetesh. Çdo laro që kumandonte pesë veta, komisar politik a sido që të
quhej, kishte të drejtën t'i bënte "gjyqin e popullit" cilitdo, domethënë t'i fuste një
plumb në kokë duke mbajtur një shënim në defter. Dhe në një psikozë t'atillë, merret
me mend se sa të zellshëm tregohen zuzarët e ndyrë që bëhen prej një dite në tjetrën
gjykatës sovranë mbi jetën e njerëzvet! Kështu që vrasjet e tyre më çdo rast e më çdo
vend u bënë si një gjë e përditëshme, e zakonshme, sa që arritën, si tek Macbeth-i i
Shakespeare-it, të mos i bënin më përshtypje askujt, as gravet dhe fëmijëvet!

Një mizori e këtillë nuk ishte parë në Shqipëri as prej Grekëvet dhe Serbo-Malazezvet
më 1913-1914. Por këtë radhë ishte shumë m'e dhëmbshme, shumë më tragjike, kur
Shqiptari ia bënte Shqiptarit! E përse t'i quajmë Shqiptarë ose njerëz ata mohonjës-
gjakpirës të kombësisë, që s'kanë asgjë njerëzore në vetvehte? Vepërimet e tyre s'kanë
shembuj as në historinë e Mongolëvet të Kohës së Mesme dhe ngjajnë vetëm me ato
të kanibalëvet t'Afrikës.

I vënë përpara kësaj gjendjeje, Balli Kombëtar u mundua t'i qëndronte furtunës.
Mblodhi fuqitë e tija dhe iu këtheu armët armëvet komuniste. Përleshja qe e rreptë,
gjakderdhëse, shkatërronjëse. S'mbet fshat, s'mbet shtëpi pa u përgjakur, pa u
përzhitur.

Mbasi komunistët kishin në këmbë disa njësi ushtarake vazhdimisht në lëvizje,


t'organizuara me ndihmën e misionevet britanike, i përdorën ato për t'a tronditur
Ballin me befasi. Kështu në vjeshtën e vitit 1943 u krijua një rrëmujë e shëmtuar, e
cila ndryshonte sipas rastevet dhe krahinavet: atje ku komunistët ishin më të fortë, i
sulmonin fuqitë e Ballit pa mëshirë, por nëpër krahina ku ishin më të dobët kërkonin
të bënin me Ballistët marrëveshje lokale, të cilën e prishnin menjëherë porsa t'iu vinte
ndonjë ndihmë, duke ua hedhur natyrisht përgjegjësinë kumandavet të Ballit.
Përpjekjet ishin të përditshme si një sëmundje kronike, duke ndryshuar formë dhe
përpjesëtim sipas vendit dhe rastevet. Prandaj është shumë vështirë të tregohet me
hollësi një luftë civile, sepse aty nuk ka vija ushtërish frontale kundrejt njëra-tjetrës,
por ndahen deri katundet e lagjet në dy parti të kundërta, dhe deri familjet (pat qëlluar
të kishte edhe vëllëzer që merrnin anë të ndryshme ).

E vërteta është që Balli Kombëtar, ndonëse si numër kishte shumicën e madhe të


fshatarësisë dhe të shkollarëvet, si forcë luftonjëse u pa qysh në fillim se ishte i një
shkalle më t'ulët, dhe kjo për disa arësye të brendëshme (në radhë të parë, ajo e
organizimit) dhe rrethana të jashtëme.

Po tregojmë më parë arësyet e brendëshme. Partia komuniste ishte nisur qysh në fillim
me idenë e revolucionit komunist për marrjen e fuqisë, duke përdorur teknikën e
organizimit dhe të gjitha metodat (të xhveshura nga çdo ndërgjegje morali) që patën
qënë provuar në Bashkimin Sovietik. Ajo formoi më parë kuadrat nëpër qytetet me
elemente që mund të disiplinohëshin dhe të fanatizohëshin n'ideologjinë marksiste si
në një fe të re. Për të mbajtur njësinë e partisë, shtypi e çfarosi pa mëshirë çdo
sektarizëm, domethënë të gjithë ata që donin të bënin më kokë të tyre duke formuar
grupthe të vegjël, siç është përgjithësisht natyra e Shqiptarëvet. Dhe këtij qëllimi
mundi t'ia arrinte jo vetëm sepse mënyra e organizimit të saj, e pështetur në terror dhe
në spiunimin e njëri-tjetrit, e bën të mundshëm, po edhe sepse partia kumandohej prej
të huajvet dhe paraqitej si diçka sipërnjerëzore, e rrethuar me një mistikë, si dikur
shënjtëria e kalifit, e patrikut ose e papës. Kështu që mistika e partisë zinte në fundin
psikologjik vendin e fanatizmeve të vjetër dhe pranohej verbërisht, duke i bërë
partizanët të hidhëshin përpara me bindjen e dikurshme të Haxhi Qamilit. Puna që
"partia" kumandohej prej të huajvet (që s'mund të gabojnë !), qofshin këta Dushan
Mugosha, Kominterni apo Moska, e bënte të patundshëm besimin dhe pajtohej fare
mirë me mendësinë e Shqiptarëvet, mësuar prej shekujsh të vështronin gjithmonë drejt
qendrash të huaja. Mbasi pregatitën, fanatizuan dhe disiplinuan një pjesë kuadrash në
këtë mënyrë, komunistët i përdorën mandej këto për të futur nën kontrollin e tyre
popullin e qytetevet dhe të fshatravet. Atë masë popullsie që mundën t'a mblidhnin
ndën kumandën e kësaj rrjete, e përdornin mandej si harapi kalin duke i dhënë
vazhdimisht provën e plumbit prapa kokës.

Kurse Balli Kombëtar nuk kishte asgjë të këtillë. Ai nuk ishte një maqinë mekanikisht
e lidhur, por një marrëveshje ndërmjet njerëzish, që ruanin mvehtësinë e tyre, me të
gjitha të metat e natyrës njerëzore ose të mendësisë së veçantë të Shqiptarit. Në
lëvizjet politike, si në çdo tjetër organizimin njerëzor, kuadrat janë gjithçkaja. Masat e
gjera nuk mund të lëvizin dhe nuk mund të çohen n'atë ose në këtë drejtim veçse
nëpërmjet të kuadravet. Dhe pikërisht formimit të kuadravet, që janë sistemi nervoz i
çdo organizimi njerëzor, Balli Kombëtar s'i dha as më të voglën rëndësi. Ndërsa
komunistët pregatitën më parë kuadrat e disiplinuara në djalërinë qytetare dhe mandej
mblodhën ndër to fshatarësinë, Balli Kombëtar e nisi punën nga fshatrat për të pasur
numrin sa më të madh, dhe kuadrat e çetavet ose të fuqivet t'armatosura të tija
qëndruan fshatare gjer në fund. Këto nuk kishin as shkathtësinë, as bindjen, as
disiplinën e kuadravet të fanatizuara dhe djaloshare komuniste. Djalëria e Ballit
Kombëtar nuk lozi as një rol në drejtimin e masavet fshatarë. Ajo mbeti më fort për të
bërë propagandë nëpër qytetet. Nuk i mungonte guximi, por mënyra e organizimit dhe
e shtirjes në punë t'energjivet të saja. Më vonë u formuan nja dy batalionë me
djalërinë qytetare të Ballit. Njëri shkoi e luftoi në Kosovë. Por roli i saj do të kishte
qënë që të formonte kuadrat drejtonjëse të fuqivet t'armatosura, siç u përdor djalëria
komuniste. Krahas me teknikën e organizimit, mjeti tjetër që përbënte forcën e Partisë
komuniste ishte terrori. Këtë nuk mund t'a përdorte Balli, as djalëria e tij, as kurrkush
nuk është penduar sepse nuk e përdori. Balli besonte dhe beson në ndërgjegjen
njerëzore, në vleftat morale dhe kombëtare. Por do të kishte mjaftuar një pregatitje
kuadrash, një organizim dhe përdorim m'i mirë i energjivet të djalërisë për t'i dhënë
ndoshta fitoren. Natyrisht, përveç mungesës së terrorit, të cilin Balli s'mund t'a
ushtronte, kishte dy anë të ligshta në Ballin Kombëtar, që më në fund, bashkë me
mungesë-n e kuadravet, prunë shkatërrimin e tij. E para, ndërsa te komunistët urdhërat
i jepte "partia", e ndier si diçka sipërnjerëzore, absolute, kundrejt së cilës s'mund të
kishte fjalë as kundërshtim, tek Balli Kombëtar duhej t'i jepte Hasani apo Hyseni,
duke u munduar t'i mbushte mëndjen gjithkujt. Dhe mbasi komunistët do të krijonin
"botën e re", botën e prrallavet, kishte tek ata një tjetër enthusiazëm nga sa mund të
ndjenin antarët e Ballit Kombëtar, të cilët nuk prisnin asgjë të mrekulluarshme. E
dyta, në Komitetin Qendror të Partisë komuniste dhe te kuadrat e larta t'asaj do të
kishte një pikëpamje, një mendim, një vendim. Ata që mendonin ndryshe, qërohëshin
shpejt. Kurse Balli Kombëtar mbeti gjer në fund një marrëveshje ndërmiet njerëzish,
me pikëpamje e interesa të ndryshme dhe shpeshëherë të kundërta. Qëndronin bashkë
se s'kishin nga të mbanin. Disa idealistë luftonin me gjithë mend për realizimin
e Dekalogut, të tjerë e kishin pranuar atë vetëm si një nevojë. Gjithkush e dinte se në
Komitetin Qendror të Ballit Kombëtar kishte dy rryma me pikëpamje e drejtime të
ndryshme. Por e vërteta: është se që të gjithë e donin Shqipërinë, dhe interesat
kombëtare mundohëshin t'i mpronin. Kjo ishte e vetëmja lidhje midis tyre.

Mënyrat e ndryshme t'organizimit që përmendëm më sipër, shtrihëshin natyrisht edhe


n'anën ushtarake e në taktikën e luftimevet. Fuqia ushtarake e komunistëvet ishte e
organizuar në një mënyrë që, në rast nevojej mund të ndahej në celula të vogla, të
shpërdahej përkohësisht pa i humbur ndërlidhjet, për t'u mbledhur përsëri në njësi të
mëdha në rastin e volitshëm. Kështu për shemhull, kur Balli Kombëbar i sulmonte me
fuqi të shumëta, forcat komuniste shpërdahëshin aty për aty në njësi të vogla dhe
fshihëshin nëpër bazat e tyre. Pastaj me rastin më të parë mblidhëshin përnjëheresh në
njësi të mëdha dhe sulmonin befas atje ku gjenin pikat më të dobëta. Organizimi
ushtarak i tyre (i studiuar e i provuar prej Bolshevikëvet) ishte i bërë në një mënyrë
t'atillë që të përkulej e të shpërndahej në celula të vogla sa herë që të binte ngushtë,
por të mos shkatërrohej. Kurse njësitë e Ballit nuk e kishin atë shkathtësi, prandaj, kur
shpërndahëshin, ishte e vështirë që të formohëshin prapë. U kuptua se fuqitë
komuniste, edhe kur thyhëshin, nuk mund të zhdukëshin përsa kohë që kishin bazat se
ku mund të fshihëshin. Dhe Balli Kombëtar nuk mund t'i zhdukte bazat e tyre mbasi
nuk bënte ndjekje në popullsinë civile. Është e tepërt të shtojmë këtu se, nga
ndryshimi i organizimit, komunistët gjenin gjithmonë shtek e mënyrë për të hedhur
lloj lloj parullash disfatiste, për të futur lloj lloj intrigash shkatërronjëse në radhët
ushtarake të Ballit Kombëtar, kurse ky s'mund të bënte asgjë të tillë në forcat
komuniste.

Trotski, në Historinë e Revolucionit Rus, thotë se Bolshevikët (komunistët) në masën


e madhe të fshatarësisë ruse nuk ishin veçse si ca pika uji n'oqean. Dhe megjithatë e
shtruan atë masë ndën kontrollin e tyre, në sajë t'organizimit dhe të taktikës luftarake
që përdorën.

Ballit Kombëtar nuk i erdhi asnjë ndihmë nga t'ashtuquajturit nacionalistë të


Shqipërisë së Mesme dhe të veriut. Në dukje, këta linin të kuptohej, ose edhe e
thoshin vetë, se e bënin me qëllim që Ballistë e Komunistë të hanin kokat njëri me
tjetrin, për t'iu mbetur më në fund fuqia këtyre. Por ky ishte një shpjegim sa për të
thënë diçka. Në të vërtetën, sistemi bajraktarist kishte vdekur, dhe krerëvet të veriut
s'iu vinte pas askush veçse me rroga, sikurse patën shkuar disa herë pas Italinëvet dhe
Gjermanëvet. Por Balli Kombëtar nuk kishte rroga t'iu jepte prandaj s'mundi t'i vinte
në ndihmë askush prej atyre. Ato që thonë sot, se gjoja Balli Kombëtar nuk desh të
bënte bashkimin, janë prralla n'erë. Balli Kombëtar nuk la çast e rast pa iu bërë thirrje,
duke hedhur pas shpine çdo shkak përçarjeje, duke i lutur me tërë vullnesën e atij që
ndodhet në të keq. Nuk i erdhi në ndihmë as e ashtuquajtura "Lëvizje e Legalitetit", e
cila u formua nën kryesinë e Abaz Kupit në Nëntor 1943, pasi ishte ndezur lufta civile
dhe komunistët ndodhëshin të kapërthyer me Ballin Kombëtar. Abaz Kupi deri
atëhere kishte qënë antar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të komunistëvet. Vetëm kur
këta u përleshën me Ballin, ai e ndieu vehten të sigurtë dhe u shkëput prej tyre për të
formuar Lëvizjen e Legalitetit, që kishte për qëllim këthimin e Zogut në "fron" të
Shqipërisë. Komunistët e përjashtuan zyrtarisht Abaz Kupin prej "Këshillit Nacional-
Çlirimtar" në Dhjetor 1943. Por Lëvizja e Legalitetit nuk lozi ndonjë rol në luftën
kundër komunistëvet as kundër Gjermanëvet. Ajo u shkreh vetvetiu porsa u mposhtën
fuqitë e Ballit Kombëtar.

Ndërhyrja e ushtërisë gjermane e koklaviti gjendjen e brendëshme më shumë akoma.


Gjermanët patën filluar të zbrisnin në Shqipëri në Gusht 1943, kur kapitullimi i Italisë
pritej prej një dite në tjetrën. Balli Kombëtar u përpoq t'iu priste udhën dhe i goditi në
disa pika: në Barmash (ndërmjet Korçës dhe Leskovikut), në rrugën e Qafës-së-
Thanës, si edhe n'afërsitë e Vlorës e të Beratit. Por pikërisht në këtë kohë komunistët i
ranë Ballit që prapa krahëvet duke hapur luftën vëllavrasëse. Atëhere lufta kundër
Gjermanëvet u ndërpre. Vetëm disa muaj më vonë komunistët filluan kundër tyre
taktikën që kishin ndjekur kundër Italianëvet, domethënë t'iu hidhnin disa pushkë mbi
kokë nëpër qendrat e popullsuara, me qëllim që Gjermanët, për hakmarrje, të digjnin
vendin rreth e rrotull dhe të vrisnin popullsinë civile. Këto pastaj, propaganda
komuniste, me cinizmin më të ndyrë, ia ngarkonte Ballit Kombëtar, gjoja sikur i
kishte shtytur ky Gjermanët të vepronin n'atë mënyrë.
Porsa hynë në Tiranë, Gjermanët, duke dashur të shfrytëzonin lidhjet e vjetra të
kombit shqiptar me Austrinë, iu bënë Shqiptarëvet një shpallje në të cilën iu thoshin
se ata vinin si miq, vetëm për nevoja ushtarake, dhe jo si pushtonjës; se ata nderonin
dhe përkrahinin pavarësinë e Shqipërisë Ethnike, lirinë dhe asnjanësinë e saj. Pra iu
njihnin Shqiptarëvet të drejtën për të pasur, si shtet i lirë, regjimin dhe qeverinë e tyre.

Kjo shpallje e Gjermanëvet tërhoqi një pjesë atdhetarësh të vjetër, tek të cilët nuk
ishin shlyer akoma kujtimet e lidhjevet të dikurshme me Austrinë, si edhe disa të rinj
me kulturë gjermane ose grupi iDeutschkultur-ës, siç quhej atëhere. Prej këtyre u
formua një i ashtuquajtur "Komitet Ekzekutiv i Përkohshëm", i cili pregatiti, me
shtytjen e Gjermanëvet, mbledhjen e një "parlamenti" ose "asamble kombëtare", më
16 Tetor. Kjo "asamble" që s'e zgjodhi askush, shpalli ndarjen e Shqipërisë nga Italia
dhe caktoi regjimin e shtetit shqiptar me një Këshill të lartë të Regjencës nën kryesinë
e Mehdi Frashërit. Regjenca mandej emëroi një qeveri.

Pranimi i Mehdi Frashërit dhe i disa të tjerëve, që mbahëshin si atdhetarë të vjetër, të


formonin një qeveri dhe kryesi shteti gjoja të pavarur, ndën Gjermanët, tërhoqi në
fillim mjaft Shqiptarë, për dy arësye: e para, Gjermanët kishin shpallur që e njihnin
pavarësinë e Shqipërisë ethnike dhe se nuk kishin ardhur si pushtonjës por si miq, për
nevojat e përkohëshme të Luftës. Prandaj të qënët e tyre në Shqipëri nuk shikohej
njëlloj si ai i Italianëvet, të cilët e patën pushtuar e lidhur vendin me Italinë, për t'a
bërë si një krahinë të saj. E dyta, shumë Shqiptarë nuk shihnin sesi mund t'i qëndrohej
ndryshe rrezikut komunist, që po tregohej m'i tmerrshëm nga çdo tjetër tmerr. Pastaj e
kuptonin se komunizmi po derdhte gjithë atë gjak për të sjellë Rusinë sovietike ose
Jugosllavinë, të cilat nuk ishin më të mira nga Gjermania. E kuptonin gjithashtu se
lufta që komunistët donin t'iu bënin Gjermanëvet kishte për qëllim t'i lehtësonte
peshën Rusisë sovietike dhe t'i shërbente si një mbulesë revolucionit komunist. Sepse,
në të vërtetën, edhe sikur të gjithë Shqiptarët të shkrihëshin në luftën kundër
Gjermanëvet, nuk mund t'a shpejtonin as për një ditë tërheqjen e këtyre nga Shqipëria,
deri sa këta të thyhëshin prej fuqivet të mëdha që kishin të njëjtat armë e mjete të
motorizuara. Balli Kombëtar, që i kuptonte mirë këto probleme, detyrohej t'i luftonte
Gjermanët për t'u treguar i lidhur me demokracitë e Perëndimit dhe i rreshtuar n'anën
e popujvet liridashës, domethënë për nevojë politike. Por nuk donte që të bëhej vendi
shkrumb e hi, duke e ditur, siç thamë, se edhe sikur të shuhëshin të gjithë Shqiptarët,
s'mund t'a shpejtonin as për një ditë largimin e Gjermanëvet.

Regjenca dhe qeveria shqiptare, me gjindarmërinë dhe administratën që krijuan, ishin


sa për dukje, sepse në të vërtetën atje ku ndodhëshin Gjermanët, fuqinë e kishin
ata. Gestapo-ja e famëkeqe e tyre u fut kudo si një rrjetë dhe kontrollonte gjithçka.
Agjentët shqiptarë të saj, atje ku mundnin, u bënë hajdutët dhe kriminelët më të
fëlliqur të vendit. Gjermanët vunë dorë mbi vajgurin dhe minierat e tjera të
Shqipërisë, dhe Bankës Kombëtare të kësaj i rrëmbyen rezervën e arit që ndodhej në
Romë.

Për të pasur sa më pak goditje prej Shqiptarëvet, Gjermanët e shtynë sa mundën luftën
civile ndërmjet komunistëve dhe Ballit Kombëtar. Ky i fundit, i sulmuar befas prej
partisë së tmerrit dhe duke mos mundur të qëndronte në të dy krahët, u shtrëngua t'a
ndërpriste luftën kundër Gjermanëvet. Kurse këta, nga ana e tjetër, ndonëse gjatë
dimrit dhe në prendverën e vitit 1944 lëshuan disa trupa në ndjekje të komunistëvet,
nuk deshën t'a shuanin lëvizjen e tyre, për t'a lënë të kapërthyer me Ballin Kombëtar.

Gjermanët, atje ku sulmohëshin prej Shqiptarëvet, vrisnin e digjnin për hakmarrje


e terror sa shtëpi dhe burra gjenin prej popullsisë civile në një rreze prej disa
kilometrash rreth e qark. Prandaj Balli Kombëtar i pat goditur nëpër rrugë e vende të
pabanuara, ku ata s'kishnin se ç'të prishnin. Kurse komunistët, përkundrazi, iu hidhnin
disa pushkë nëpër vendet e popullsuara dhe mandej tërhiqëshin, ndërsa Gjermanët
bënin kërdi rreth e rrotull. "Nacional-Çlirimtarët" kënaqëshin mandej duke ia ngarkuar
këto krime Ballit Kombëtar! Puna u keqësua më tepër kur Gjermanët zunë të
përdornin banda kriminelësh, siç patën bërë Italianët me Isa Toskën. Këto dhe disa
trupa SS që formoi qeveria e Tiranës në bashkëpunim me kumandën gjermane,
propaganda komuniste ia vishte si gjithnjë Ballit Kombëtar.

Përveç forcës së brendëshme që mundën të krijonin, komunistët u ndihmuan nga të


gjitha rrethanat e jashtëme. Pikë së pari, patën ndihmën e misionevet ushtarake
britanike, jo vetëm n'armë e municione po edhe si propagandë. Radio e Londrës dhe
më vonë ajo e Barit, n'emisionet shqipe, nuk përmendnin veçse "punët e mëdha" të
"Lëvizjes Nacional-Çlirimtare" duke ia fshehur kësaj karakterin komunist dhe duke e
bërë popullin të besonte se vetëm kjo ishte dhe njihej prej Aliatevet të Perëndimit.
Anglezët vepronin në këtë mënyrë jo vetëm për t'i bërë volltën Rusisë, po edhe sepse
duke e ditur që komunistët s'kishin asnjë ndërgjegje kombëtare dhe asnjë qëllim tjetër
veç marrjes së fuqisë, i shtynin me ato mjete për t'a hedhur popullin shqiptar pa
kursim në luftën kundër Gjermanëvet. Nga ana tjetër, pas kapitullimit t'Italisë, 15.000
ushtarë e oficerë italianë të divizionit "Firenze", nën kumandën e gjeneral Azzi-t, me
armët, municionet, artilerinë dhe tërë materialin luftarak, u dorëzuan te komunistët.
Këta krijuan me ish-pushtonjësit fashistë njësi ushtarake, sikurse batalionin "Antonio
Gramshi", për të vrarë Shqiptarët. Mandej lëvizja komuniste pati sidomos përkrahjen
e forcavet jugosllave të Tito-s dhe atë t'EAM-it grek. Kuptohet vetiu se zbritja e
Rusisë sovietike në Ballkan, me enthusiazmin që ngjalli te komunistët dhe
simpathizonjësit e tyre, ishte një ndihmë e pamohuarshme. Kurse Balli Kombëtar nuk
pati asnjë ndihmë të jashtëme nga asnjë anë.

I tronditur gjer në thellësi të shpirtit prej atij drami kombëtar, Balli iu bëri thirrje disa
herë komunistëvet për t'i dhënë fund luftës civile dhe për të gjetur një rrugë
bashkëpunimi, duke i luftuar edhe Gjermanët po për aq sa lejonin mundësitë e
Shqipërisë. Mirëpo Partia komuniste kishte të tjera qëllime: ajo nuk donte t'a ndante
fuqinë me asnjë tjetër grup Shqiptarësh dhe, duke u treguar se gjoja luftonte kundër
ushtërisë gjermane për çlirimin kombëtar, përpiqej të pregatiste forcat e nevojshme
për të vendosur diktaturën e saj. Prandaj bëri çmos për të përhapur mendimin se,
përveç "Lëvizjes Nacional-Çlirimtare" (domethënë Partisë komuniste), çdo grup tjetër
shqiptar ishte "fashist, trathëtar, armik i popullit dhe bashkëpunëtor i Gjermanëvet".
Në një dokument të fshehtë të Partisë komuniste që zuri Balli Kombëtar në Berat,
nënshkruar nga "Shpati" (pseudonimi i Enver Hoxhës), iu jepëshin komitetevet
krahinorë të gjitha udhëzimet sesi dhe pse duhej t'a bënin luftën kundër Ballit,
tregohëshin hapur të gjitha qëllimet djallëzore dhe anti-kombëtare t'asaj partie. Kështu
duke shfrytëzuar enthusiazmin e pastër të djalërisë dhe të një pjese të popullit shqiptar
se gjoja bënin luftë kombëtare për çlirimin e Shqipërisë, komunistët pregatitën ndën
këtë mbulesë forcat e nevojshme për të vendosur diktaturën e tyre t'urrejtur.

I shtrënguar prej tyre dhe i vënë me shpatulla në mur, Ballit Kombëtar s'i mbetej rrugë
tjetër veçse t'iu qëndronte me anën e armëvet. Përleshjet qenë të forta dhe të
tmerrshme. Mbasi e mblodhi vehten nga tronditja e parë, Balli Kombëtar, që kishte
gjithmonë shumicën si numër, çoi në këmbë fuqitë e veta të qarqevet të Beratit,
t'Elbasanit e të Korçës dhe, nga gjysma e Nëntorit 1943, u hodh në sulmim të
përgjithshëm kundër komunistëvet, në një vijë që shkonte prej Mallakastre gjer në
malësi t'Oparit. Pas një muaji e gjysëm luftimesh të rrepta, komunistët u thyen në të
gjitha pikat dhe u tërhoqën në malësi të Përmetit e në Kurvelesh. Mjerisht, n'atë krah
fuqia e Ballit ishte dobësuar me vrasjen e Hysni Lepenicës dhe 34 kumandarëve
çetash nga më trimat, në Grihot të Gjirokastrës, në një përpjekje kundër Italianëvet.
Kështu që në, Kurvelesh komunistët mundën të mbahëshin. Një dobësim solli edhe në
qarkun e Korçës zhdukja e Safet Butkës i cili, në një çast dëshpërimi, vrau vehten.

Me gjithë humbjet e mëdha që pësuan, dhe thyerjen e krahëvet në Labëri, fuqitë e


Ballit i mbajtën pozitat e tyre gjatë dimrit 1943-44, dhe u duk sikur komunizmi do të
mposhtej. Por ajo periudhë ka qënë ndoshta një nga më të zezat që ka hequr kombi
shqiptar. Rrugët u prenë, krahinat u ndanë nga njëra tjetra, lufta vëllavrasëse
vazhdonte kudo, komunistët bënin tmerre duke djegur e vrarë, gjaku rridhte papushim.
Shumë familje "balliste" u shpërngulën nga krahinat e shkelura prej komunistëvet, ku
s'iu kish mbetur shtëpi as katandi, dhe sillëshin nëpër baltra me gra e fëmijë si në
kohën e pushtimit grek më 1914.

N'atë rrëmujë të përgjithshme, ku s'merrte vesh i pari të dytin, ku s'mund të jepeshin


urdhëra as mund të mbahej rregulli, dhe ku terrori komunist u bë si një ankth i
paduruarshëm, Balli Kombëtar pësoi tronditjen më të madhe, një pjesë e elementevet
të tij (ata që ishin grumbulluar në të rastësisht) nisën të shkëputëshin dhe të shkonin si
banda pas Gjermanëvet, ashtu siç bënë edhe disa nga të "nacional-çlirimtares"
komuniste. Anarkia dhe rrëmuja s'kishin se ku të shkonin më tutje. Por ndërsa
komunistët e shkaktonin vetë atë gjendje me qëllim që të merrnin fuqinë përmbi gjak
e gërmadha, ata që jetonin në shpirt dramin më të tmerrshëm ishin udhëheqësit e
Ballit Kombëtar, të cilët u përpoqën të bënin çdo gjë që njerëzisht ishte e mundur për
të frenuar pasionet e dobëta, për të ndaluar anarkinë, për të vënë disiplinën, rregullin,
për të mprojtur e shpëtuar atë që mund të shpëtohej.

Mjerisht revolucionet janë si një valë e rrëmbyer që, bashkë me vleftat më të larta,
nxjerrin në sipërfaqe pasionet më të ulëta, fundërritë më neveritëse të natyrës
njerëzore. Në kohë t'atilla ku s'mund të vihet rregull dhe kontroll aq sa duhet, ku çdo
laro me një pushkë në krahë ka rast të bëjë shpeshherë ligj, çdo gjë varet nga shkalla e
edukatës dhe moralit civik të popullit. Kjo shkallë për fat të keq, tek popujt e Ballkanit
është fort e ulët. Sidoqoftë, nëse dikush duhet t'a ketë përgjegjësinë politike të
gjendjes që u krijua në atë kohë dhe që vazhdoi pastaj, ky "dikush" s'mund të jetë
tjetër veçse Partia komuniste, e cila është shkaktarja e tërë atij ferri që hoqi dhe që po
heq populli shqiptar.

Në prendverën e vitit 1944, u duk se komunistët po ju delnin përpara fuqive të Ballit.


Ndonëse brigadat e tyre ishin më të shumtën shifra absrakte, kishin formuar deri
atëhere nja 10 a 12, të cilat i mbanin vazhdimisht në lëvizje për të goditur kudo forcat
e Ballit Kombëtar. Më 24 Maj 1944, komunistët mundën të mblidhnin në Përmet
"Kongresin Antifashist Nacional Çlirimtar", i cili krijoi një "Komitet Antifashist
Nacional Çlirimtar" prej 13 antarësh, i veshur me fuqitë e një qeverie të përkohëshme.
Kryetar i Komitetit u emërua Enver Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë
komuniste. Shpalljet dhe thëniet e "Kongresit Antifashist" të Përmetit kundërshtonin
njëra-tjetrën: mënjanë thuhej se asnjë grup ose parti nuk mbizotëronte në "Lëvizjen
Nacional-çlirimtare", nga ana tjetër i thureshin lëvdata Partisë komuniste që e kishte
udhëhequr popullin në rrugën e çlirimit!

Balli Kombëtar mblodhi rreth tij bërthamat më të forta të forcave që i kishin mbetur,
kumandën e të cilave e mori auktori i këtij studimi. I vënë midis dy zjarresh ndërmjet
komunistëvet dhe Gjermanëvet, Balli mundi të mbahej akoma në disa krahina të
Shqipërisësë jugës gjer në Gusht 1944. Por n'atë kohë pësoi një tjetër humbje, sepse
një nga shtyllat e tij të qarkut të Vlorës dhe antar i Komitetit Qendror, avokat Skënder
Muçua, me dy bashkëpunërë të vlefshëm, të gjurmuar prej disa agjentëve shqiptarë të
gestapo-së, u kapën prej Gjermanëvet dhe u pushkatuan që të tre. Mbasi qëndresa e
fuqive të Ballit, në jugë, u bë e pamundur, auktori i këtij studimi me njësitë ushtarake
që i kishin mbetur kaloi në Shqipërinë e Mesme ku vazhdoi t'iu bënte disa goditje të
forta kolonavet gjermane, gjatë muajve Shtator e Tetor, duke u mprojtur njëkohësisht
kundrejt sulmeve të komunistëvet. Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar shpresonte
akoma se mund të bëhej një bashkim forcash në Shqipërinë e veriut me "Lëvizjen e
Legalitetit" dhe disa krerë bajraktarë. U provua një farë bashkëpunimi me Abas
Kupin, por ky as nuk kishte ndonjë fuqi të vërtetë, as donte të vinte në përpjekje me
komunistët ndonëse ata i hipën malësisë së Krujës. Me thirrjen e Ballit Kombëtar, u
bë një mbledhje e disa krerëve të Shqipërisë së veriut në një katund të Kurbinit, nga
mbarimi i Shtatorit, si një përpjekje e fundit për bashkimin e forcavet. Nga ana e
Ballit Kombëtar merrnin pjesë Midhat Frashëri dhe auktori i këtij studimi. Pas disa
bisedimesh të kota, u kuptua se krerëvet të veriut s'iu kishte mbetur asnjë forcë përveç
fjalëve të mëdha. Madje komunistët kishin hyrë nëpër malet e tyre dhe disave iu
kishin djegur edhe shtëpitë.

Duke mbajtur si bazë fortesën e Prezës, fuqitë e Ballit Kombëtar i vazhduan vepërimet
kundër ushtërisë gjermane gjatë muajit të Tetorit, ndërsa komunistët kishin hyrë në
Shqipërinë e veriut, kishin zënë Krujën dhe po i përqëndronin brigadat e tyre në
fushën ndërmjet Krujës dhe Tiranës për t'iu dhënë grushtin e fundit forcave të Ballit.
Nga mbarimi i Tetorit e rrethuan natën fortesën e Prezës dhe, në të zbardhur të
mëngjezit, hapën zjarr nga të katër anët. Pas një luftimi të rreptë prej 12 orësh, auktori
i këtij studimi e çau rrethimin dhe i tërhoqi fuqitë e Ballit në drejtim të Ishmit e të
Bregut-të-Matit.

Qëndresa në fushë të hapët kundër brigadavet komuniste ishte bërë e pamundur, sepse
i tërë vendi ndodhej pothuajse ndën kontrollin e tyre mbasi në Shqipërinë e veriut nuk
gjetën asnjë kundërshtim të organizuar. Kështu që, në fillim të Nëndorit, auktori i këtij
studimi u shtrëngua ti shpërndante fuqitë e Ballit në çeta të vogla, mbasi të
këthehëshin gjer në Shqipërinë e jugës si një trupë ushtarake e rregullt, ndënë
kumandën e Muharrem Kapllanit, Maliq Dusharit, Tefik Sfirit dhe Haxhi Mirakës.
Kurse ai vetë do të qëndronte disa kohë në Shqipërinë e veriut për të provuar nëse do
të kishte mundësi organizimi dhe krijimi forcash të reja me kuadra të reja për të
vazhduar luftën. Pastaj do të zbriste në jugë, sido që të zhvillohej gjëndja, i vendosur
që t'a mbante lart flamurin e lirisë kundër komunizmit. Nuk kishte çast më dramatik.
Ata burra që e kishin ndjekur kumandarin e tyre me plot bindje gjatë tre vjetëve, në
shi e në dëborë, në çdo rast të gatshëm për t'u hedhur në zjarr, pa asnjë shpërblim
vetëm për lirinë e Shqipërisë, për të cilën kishin lënë prindër e motra, gra e fëmijë, ata
burra e dëgjuan urdhërin në një heshtje madhështore. Me vijat e fytyrës si tejza çeliku,
e shikuan kumandarin në sy, pa rrahur qepallat, duke mbledhur në atë shikim të tëra
pyetjet, të tërë forcën e shpirtit. Edhe ai i shikoi në sy me një vështrim që përmblidhte
të tërë dramin e çastit, po edhe vullnetin e atyre që nuk thyhen prej fatkeqësivet, që
duhet të qëndrojnë deri në fund si burra. Duket se u kuptuan të dy palët. Oficerët,
mbasi muarën urdhërat, drejtimet sesi duhej të vepronin, dhe mbasi kumandari i tyre i
përqafoi një e nga një, paraqitën bashkë me trupën për-nder-armët duke thirrur:
"Rroftë Shqipëria!"; dhe u vunë në lëvizje, ballin lart, me të njëjtin shpirt dhe me të
njëjtin çap sikur nisëshin për sulm. Atë ditë mbyllej por jo pa mbresë heroizmi, një
fletë e historisë së Ballit Kombëtar.
Me gjithë shpifjet e paturpëshme të komunistëvet, që ia kthyen Ballit Kombëtar të
gjitha armët e zjarrit e të propagandës, sepse vetëm aty shikonin një ide kombëtare të
organizuar e të pajtuar me kuptimin e lirive njerëzore, Balli Kombëtar u tregua si e
vetëmja lëvizje thjeshtë shqiptare për t'i qëndruar me armë çdo armiku të jashtëm e të
brendshëm që iu turr atdheut, fashist, nazi apo komunist; u dëftye si i vetëmi vullnet
kombëtar i organizuar për të mprojtur lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë Ethnike.
Edhe nëqoftëse një pjesë e Ballit Kombëtar, gjithmonë ndënë shtrëngimin e
komunistëvet, u çthur dhe, për të gjetur shpëtim, u pështet pas Gjermanëvet, pati edhe
një pjesë tjetër që i qëndroi atij ferri nga të dy anët dhe bëri ç'ishte njerëzisht e mundur
për t'a nxjerrë vendin nga ajo gjendje. Në këtë studim flitet për këtë pjesë të Ballit
Kombëtar, që s'u thye kurrë në shpirt, që e mbajti lart idenë e Shqipërisë Ethnike,
idenë e lirisë për të gjithë Shqiptarët dhe kuptimin e panjollë të Flamurit të
Skënderbeut.

Komunistët, me cinizëm neveritës, shfrytëzuan të gjithë enthusiazmin e një pjese të


djalërisë dhe të popullit për të bërë gjoja luftë kombëtare kundër pushtonjësve të huaj,
duke e ditur se vetëm për atë lloj lufte kishte enthusiazëm. Pastaj, ndënë atë mbulesë,
me mynyrat e tyre djallëzore e pasi i futën ato forca në një disiplinë të hekurt, i
përdorën pikërisht kundër lirisë, kundër Ballit Kombëtar, duke e paraqitur këtë si
bashkëpunëtor të armiqve të jashtëm, deri sa vendosën më në fund diktaturën e tyre të
përgjaktë. Në Shqipëri po rritej një brez i shëndoshë, një djalëri e gjallë, e shkathët, e
bukur, energjitë e së cilës, sikur t'ishin derdhur në një drejtim të vetëm- në drejtimin
kombëtar -do të kishin bërë çudira, do të kishin korrur fitore të pa shembullta në
historinë e re të Shqipërisë dhe të krahasuarshme me ngjarjet e lavdishme të kohës së
Skënderbeut. Përse i tërë ai hov, ajo energji, ai enthusiazëm u përdor për të djegur
vendin, pët të nxirrë jetën e krejt një populli, për të munduar, për të shtypur Shqiptari
Shqiptarin me aq helm edh' egërsi? Ç'farë instiktesh prej qeni të tërbuar fshihen në
natyrën e një komunisti?

Më 22 të Tetorit, në një mbledhje që bënë në Berat, komunistët e ndërruan "Komitetin


Antifashist Nacional Çlirimtar" në "Qeveri Demokratike të Shqipërisë" me kryetar
gjeneral-kolonel Enver Hoxhën. Në mbarim të Nëntorit, qeveria komuniste u vendos
në Tiranë, ku bëri që në ditën e parë një banjë prej gjaku duke vrarë nja 300 veta që
gjeti nëpër hotelet, mbledhur aty prej krahinash të ndryshme të Shqipërisë. Pastaj
vrasjet vazhduan rregullisht, nga tetë e nga dhjetë viktima në javët për çdo qytet.

Një pjesë e antarëvet të Ballit Kombëtar, me Midhat Frashërin në krye, kaloi në Itali.

Auktori i këtij studimi qëndroi në qarkun e Shkodrës bashkë me vëllezërit Kazazi,


duke shpresuar në mundësinë e një organizimi të ri të forcave të Shqipërisë së veriut.
Populli i rrethevet të Shkodrës i mbajti kudo me mikpritjen dhe burrërinë e
zakonshme, por ishte fare i papregatitur për një lëvizje të organizuar. Krerët e
dikurshëm kishin mbaruar për gjithmonë, dhe kuadrat e reja s'mund të formoheshin aq
lehtësisht, sidomos që u bë e pamundur dalja e djemve të rinj prej Shkodre në mal.
Katundarët e ngratë nuk kuptonin se ç'ishte komunizmi, as sesi mund të luftohej, as
kishte kurrfarë mundësie për t'u bërë një punë e organizuar me ta. Në Jenar 1945,
auktori i këtij studimi dhe vëllezërit Kazazi ngritën më këmbë një fuqi dhe provuan të
lironin Shkodrën, me qëllim që të vinin në lëvizje djalërinë, por çështja dështoi sepse
me grumbuj katundarësh s'mund të bëhej asgjë. Për të luftuar komunizmin duhej një
forcë e inkadruar dhe ushtarakisht e stërvitur.

Për fat të keq, edhe gjendja ndërkombëtare po shkonte gjithnjë në dobi të komunizmit.
N'atë kohë u mblodh ndërmjet tre të Mëdhenjvet Konferenca e Jaltës, ku Roosevelt-i,
të cilit i ishte sklerozuar truri, ia la Stalinit gjysmën e Evropës. Komunistët u siguruan
se Rusia po delte mbizotëronjëse në Ballkan.

Në Shkurt 1945, duke parë se s'mund të bëhej asgjë në veri, auktori i këtij studimi
zbriti në Shqipërinë e jugës, sipas fjalës që iu kishte dhënë shokëve të luftës, dhe
qëndroi aty gjer në mbarim të atij viti. Por komunistët të ndihmuar prej dimrit të
jashtëzakonisht t'ashpër, s'kishin lënë çetë balliste të gjallë, kumandarët e tyre i kishin
vrarë ase kapur gjysëm të ngrirë në dëborë. Për t'a shijuar "fitoren" me ca çfaqje si ato
të Romakëve të vjetër kur nxirrnin gladiatorët në cirkus, komunistët ngrehën "gjygjet
e popullit" nëpër kinematë e qytetevet, ku mbulonin me të shara e pështyma viktimat e
tyre përpara se t'i grinin me plumba. Çfaqja m'e dukshme e këtij lloji u bë në
kinemanë e Tiranës, me Koçi Xoxen si kryetar Gjyqi dhe gjeneral Bedri Spahiun si
prokuror të përgjithshëm.

Auktori i këtij studimi, gjatë verës së vitit 1945, pati rastin të këndonte nëpër gazeta
edhe zhvillimin e atyre "gjyqeve", si kupa m'e hidhur që komunizmi i kishte ruajtur
për më në fund. Por ajo kupë helmi shoqërohej me një ndjenjë krenarie për qëndrimin
e denjë që mbajtën shokët e tij të luftës përpara gjykatësve-xhelatë. Asnjëri prej tyre
nuk u trondit, askush prej tyre nuk u përul sa të kërkonte mëshirë, askush nuk e mohoi
Ballin Kombëtar dhe idenë e tij. Kishin luftuar si trima dhe vdiqën si dëshmorë, me
burrëri stoike.

Përveç Ballistëvet, komunistët zhdukën edhe shumë Shqiptarë të tjerë, sidomos prej
krerëvet të Shqipërisë së veriut. Disa nga këta u vranë burrërisht duke luftuar me armë
në dorë, por mbasi pritën që komunizmi t'iu vinte gjer në katund. Ishin treguar fare të
paaftë për organizim dhe parashikim. Kështu gjaku i tyre shkoi kot, siç ka shkuar
pothuajse gjithmonë gjaku i Shqiptarëvet.

Nuk janë bërë akoma statistika të plota mbi humbjet, vrasjet dhe djegjet që pësoi
Shqipëria prej komunistëvet gjer më 1945. Sipas një raporti të misionit t'organizatës
U.N.R.R.A. të Kombevet të Bashkuar,ishin vrarë 30.000 veta, ishin djegur e
shkatërruar 18.000 shtëpi, ishin bërë rrafsh më se 200 katunde dhe kishin mbetur pa
strehë më se 100.000 Shqiptarë. Të gjitha këto humbje Partia komuniste, me ulërima
qeni, u a ngarkon Gjermanëvet dhe "Ballistëvet", kurse është ajo vetë shkaktarja e tërë
atij mjerimi, e tërë asaj katastrofe kombëtare. Ballistët nuk digjnin kurrë shtëpira; këto
digjëshin vetëm prej Komunistëvet dhe Gjermanëvet. Po edhe këta të fundit,
zakonisht, digjnin vetëm në një rreze prej disa kilometrash rreth e qark atje ku
sulmohëshin prej Shqiptarëvet. Dhe, siç kemi thënë më lart, komunistët iu hidhnin
qëllimthi disa pushkë pikërisht në vendet e banuara, duke e ditur që më parë se
Gjermanët do të zbatonin rregullin e tyre të hakmarrjes duke djegur e vrarë mbi
popullsinë civile. Por komunistëvet aq iu bënte, përsa kohë që me ato mënyra forconin
pozitën e tyre ose i lehtësonin peshën e luftës Rusisë, duke ia ngarkuar mandej djegiet
dhe rrënimet Ballit Kombëtar. Nuk kemi akoma një listë të plotë as të viktimavet të
pastajmë të komunizmit, t'atyre që Partia vrau ose kalbi nëpër burgje e kampe, t'atyre
që u mbuluan gjysëm-të-gjallë nëpër hendeqe, t'atyre që vdiqën nga uria dhe torturat.
Por thuhet me siguri se nëpër burgje e fusha përqëndrimi kanë vdekur lart nga 20.000
veta. Historia e Partisë komuniste shqiptare është një neveri gjaku dhe mish njeriu.

Për fat të keq, gjatë asaj kohe popullsia shqiptare pësoi humbje të mëdha edhe në
krahinat përtej kufijvet, në Çamëri dhe në Kosovë. Në verën e vitit 1944, bandat greke
të gjeneralit Zervas, n'Epir, u lëshuan edhe njëherë me egërsinë e dikurshme mbi
popullsinë shqiptare të Çamërisë duke vrarë, djegur e tmerruar. Në Gusht të atij viti,
lart nga 20.000 çamër, me gra e fëmijë, të ndjekur këmba-këmbës, u futën në
Shqipëri, pa mundur të merrnin asgjë me vehte, xhveshur e zbathur si mos më keq.
Me këto mënyra Greqia e shoi pothuajse krejt popullsinë shqiptare të Çamërisë.

Të hatashme qenë edhe vrasjet që pësoi popullsia shqiptare e Kosovës prej policisë
jugosllave në bashkëpunim me komunistët e Shqipërisë. Kemi parë më sipër se çfarë
rrufesh lëshoi Partia komuniste jugosllave mbi Partinë komuniste shqiptare kur, në
Shtator 1943, një çetë e Haxhi Lleshit guxoi të hynte në Dibrën e Madhe. Mirëpo, në
vjeshtën dhe dimrin e vitit 1944, Jugosllavia mendoi se mënyra më e mirë për të
shtruar Kosovarët, të cilët kërkonin bashkim me Shqipërinë, ishte që të sillte aty
brigadat komuniste të Shqipërisë, gjoja sikur vinin për të ndihmuar Jugosllavët në
luftën kundër Gjermanëvet. Në të vërtetën, kjo manevër luhej për t'iu treguar
Kosovarëvet se popujt e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë ishin "vëllazëruar" midis tyre,
e prandaj shqiptarët e Kosovës ndodheshin mirë atje ku ishin, ndënë thundrën
jugosllave. Megjith atë "vëllazërim" dhe atë zell që po tregonin komunistët shqiptarë
sa të çonin djemtë e popullit të Shqipërisë edhe në tokën jugosllave për të derdhur
gjakun e tyre kundër Gjermanëvet, egërsia jugosllave u çfaq si gjithmonë, e
pandryshuarshme, kundrejt Shqiptarëvet të Kosovës. Përveç sa kishin vrarë çetnikët e
kriminelit Mihajloviç, të cilët, në Jenar të vitit 1943, të kumanduar prej gjeneralit-
xhelat Gjuriçiç, ranë në Bihor të Kosovës si një tufë bishash t'etshme për gjak dhe
vranë, në një natë, përmbi 5.000 Shqiptarë, pleq, gra e çiliminj; përveç sa e sa të
mjerëve që ishin vrarë më parë, regjimi komunist jugosllav nuk ndryshoi nga të tjerët.
Ndërsa komunistët e Tiranës kremtonin "vëllazërimin" shqiptaro-jugosllav dhe
dërgonin djemtë e popullit shqiptar të vritëshin kundër Gjermanëvet në Jugosllavi,
U.D.B.-ja (policia e Sigurimit) jugosllave vriste Shqiptarë me grumbuj në Gjilan,
Prishtinë, Drenicë, Pejë, Prizrend, Gjakovë, Mitrovicë, e të tjera qytete të Kosovës e të
Maqedonisë. Me mijëra djelmosha shqiptarë të atyre krahinave, që u thirrën "ushtarë"
ose në "punë të detyruar", nuk u kthyen më kurrë në familjet e tyre. Dy mijë e ca të
rinj prej Kosove u helmuan me gaz në Gorizia dhe një mijë e dyqind të tjerë u
pushkatuan në Tivar. Ka pasur gjithësejt lart nga 60.000 Kosovarë të vrarë prej
regjimit Titoist jugosllav gjatë kohës së bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë
komuniste të Tiranës. Jo vetëm në Jugosllavi, por policia jugosllave u lejua të hynte
edhe në Shqipëri për të vrarë lart nga 1.000 kosovarë që kishin ardhur aty të gjenin
strehë me besimin se Shqipëria ishte atdheu i tyre. Dhe Enver Hoxha thoshte në atë
kohë se "emri i Titos ndodhej i shkruar jo në malet dhe në qytetet e Shqipërisë, por në
zemrat e Shqiptarëvet". Kurse sot na mallëngjen me lotët e krokodilit që derdh për
Kosovarët, të cilët përmenden prej qeverisë së Tiranës vetëm për nevojë propagande
kundër Titos, nga frika se mos ky ndërhyn e u jep një shqelm Hoxhës dhe Shehut për
t'i zëvëndësuar me ndonjë klikë Titoiste.

Më 2 Dhjetor 1945, komunistët bënë "zgjedhjet" për t'ashtuquajturën "Asamble


Kushtetonjëse". Mbasi në regjimet komuniste nuk ka parti kundërshtare, dhe
"zgjedhjet" e tyre janë një përdhunim i popullit me anën e policisë, "Fronti
Demokratik" fitoi 93 për qind të votavet! Më 10 Jenar 1946, "Asambleja
Kushtetonjëse" shpalli "Republikën Popullore" të Shqipërisë dhe, më 15 Mars,
Kushtetutën e re. Sipas kësaj, Asambleja Kushtetonjëse u bë "Asamble e Popullit" ose
parlament, që zgjedh antarët e Presidiumit.

Prej datës që erdhën në fuqi e gjer më 1948, komunistët e Tiranës qëndruan të lidhur
ngushtë pas Jugosllavisë dhe të gjitha marrëdhëniet i patën bërë me këtë. Jugosllavët
erdhën të zinin vendin e dikurshëm t'Italianëvet si këshilltarë të ministrivet, ekspertë
të ushtërisë, teknikë dhe inxhinjerë të ndërtimevet dhe ndërmarrjevet industriore etj.
Ishin Jugosllavët ata që ua bënin planet e zhvillimit ekonomik "shokëve" të Tiranës,
që iu dërgonin organizatorë të çdo dege dhe i përkrahnin në konferencat e jashtëme
ndërkombëtare. Mbasi agjenti kryesor i Jugosllavisë ishte Koçi Xoxe, i cili, si ministër
i Punëve të Brendëshme, kishte në dorë edhe policinë e fshehtë, përveç tmerrit që
ushtroi në popull, ai u përpoq me të gjitha mënyrat për t'a bërë praktikisht Shqipërinë
një "republikë" jugosllave. Kështu, i tërë ai enthusiazëm, i tërë ai gjak i djalërisë dhe i
popullit ishte derdhur për t'a sjellë fatin e Shqipërisë në duart e Koçi Xoxes!

Në Qërshor 1946, Enver Hoxha bëri një vizitë në Belgrad, ku lidhi një traktat miqësie
dhe ndihme reciproke me Jugosllavinë. Në Nëntor t'atij viti u nënshkrua ndërmjet
qeverive jugosllave dhe shqiptare një marrëveshje e gjërë ekonomike, e cila do
t'arrinte në bashkimin doganor, në njësimin e monedhavet dhe në një ekonomi të
bashkërenditur, domethënë në përfshirjen e ekonomisë shqiptare në ekonominë
jugosllave. Në shkollat shqipe studimi i gjuhës serbo-kroate u bë i detyruar dhe
studentët shqiptarë shkonin për të plotësuar studimet e larta n'universitet e
Jugosllavisë. Një nga ndërtimet kryesore ishte hekurudha Tiranë-Durrës-Elbasan, e
cila, duke ndjekur luginën e Shkumbinit, do të delte në Pogradec, për të lehtësuar
lidhjet e brendëshme të Jugosllavisë me Durrësin. Si dikur Italia fashiste, Jugosllavia
nisi t'i jepte rëndësi ndërtimit në Shqipëri të disa rrugëve me karakter strategjik.
Qeveria e Tiranës, për t'i paguar Jugosllavisë maqinat e para (disa shkatërrila jashtë
përdorimit) që mori për "industrializimin" e vendit edhe armatimin, i dha mallin e
magazinavet që ishte grumbulluar me shumicë në Shqipëri gjatë kohës së tregëtisë me
Italinë, si edhe prodhimet e nëntokës dhe një pjesë t'atyre të mbitokës, duke ia hequr
popullit kafshatën nga goja.

Rusia, ndonëse e kishte njohur qeverinë e Tiranës që më 10 Nëntor 1945, ia kishte


lënë Shqipërinë n'atë kohë si një copë koloni Jugosllavisë, aq sa nuk pati me atë asnjë
traktat gjer më 1948 dhe nuk e përfshiu n'asnjë nga garantitë e mprojtjes që iu jepte
satelitëvet të tjerë. Nga bisedimet e Djilas-it me Stalinin, kuptohet se ky i fundit nuk
kishte asnjë përfillje për Shqiptarët dhe se Shqipërinë e shikonte si një mvarëse të
Jugosllavisë.

Nga ana tjetër, Jugosllavët bënin çmos për t'a mbajtur Shqipërinë të veçuar nga e tërë
bota, që ajo të mos kishte tjetër pështetje përveç atyre. Më 1946, Amerika desh t'a
ndihmonte popullin shqiptar me anën e organizatës U.N.R.R.A dhe dërgoi një mision
amerikan në Shqipëri. Kërkoi gjithashtu lidhje marrëdhëniesh diplomatike të rregullta
me qeverinë e Tiranës duke u treguar e gatëshme t'a njihte këtë; por bisedimet
dështuan sepse komunistët nuk pranuan marrëveshje të veçanta të dyanëshme
ndërmjet Shtetevet-të-Bashkuar dhe Shqipërisë. Komunistët shqiptarë, duke e pasur
pothuajse tërë popullin kundër dhe duke u mbajtur në fuqi vetëm me anën e një
regjimi policor, kanë frikë prej marrëdhënivet të lira me botën e Perëndimit se mos
hapet në popull ndonjë plasaritje sado e vogël, e cila do të zgjerohej shpejt dhe do të
shkaktonte rrëzimin e tyre. Prandaj e mbajnë akoma popullin shqiptar të mbyllur si në
burg duke i prerë çdo mundësi takimi më botën e jashtëme.

Në Traktatin e Paqes që u nënshkrua më 1947, Italia hiqte dorë nga të gjitha të drejtat,
konçesionet, pasuritë dhe interesat që kishte pasur në Shqipëri (Neni 29), dhe njihte
gjithashtu se ishulli i Sazanit ishte pjesë e Shqipërisë (Neni 28). Kurse Greqia kërkoi
që "çështja e Epirit të Veriut" të vihej në bisedim në Konferencën e Paqes, në Paris,
më 1946. Propozimin e Greqisë e kundërshtuan Molotov-i dhe nën kryeministri
jugosllav Kardelj-i. Por sidomos ndërhyrja e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Byrnes,
që e hodhi poshtë propozimin grek, dhe e ashtuquajtura çështje e Epirit të Veriut nuk
u muar fare në bisedim.

Megjithatë, regjimi i Tiranës vazhdoi të të mbante një qëndrim armiqësor kundrejt


Amerikanëvet dhe të pengonte çdo vepërim të misionit të tyre në Shqipëri. N'ato
kushte Amerika i njoftoi qeverisë së Tiranës, më 5 Nëtor 1946, se nuk kishte më asnjë
arsye që misioni i saj të qëndronte në Shqipëri.

Atëhere policia e Koçi Xoxes u vu menjëherë në lëvizje për të kurdisur proçesin e


inxhinjerëve të Maliqit, të cilët kishin qënë gjoja në lidhje me misionin amerikan dhe
qenë shtytur prej këtij për të sabotuar punimet e tharjes së liqenit. Gjashtë inxhinjerë u
varën, misioni amerikan iku prej Shqipërie, dhe kjo ngeli si një rraqe e lidhur pas
Jugosllavisë! Dhe kulmi i komedisë ishte se vetë Jugosllavia, ku kishin varur të gjitha
shpresat "të mënçmit" e Tiranës, është mbajtur me ndihmën e Amerikës.

Po n'atë mënyrë u godit misioni ushtarak britanik, sikur kishte dashur gjoja
t'organizonte një komplot kundër regjimit. Kjo e ndaloi Anglinë t'i vazhdonte më tej
bisedimet e nisura me 10 Nëntor 1945 për njohjen e qeverisë së Tiranës. Punët u
keqësuan edhe më shumë kur, me 22 Tetor 1946, dy anije lufte britanike,
një kryqëzor dhe një destrojer, ndeshën në mina të vëna prej komunistëvet shqiptarë,
ose me dijeninë e tyre, në kanalin e Korfuzit. Përveç shkatërrimit të dy anijevet,
mbetën të vdekur dyzet-e-katër marinarë britanikë. Çështja shkoi në Këshillin e
Sigurimit të Kombevet të Bashkuar, i cili vendosi se minat qenë vënë me dijeninë e
qeverisë shqiptare. Anglia iu drejtua më në fund Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës, që i
njohu të drejtën e dëmshpërblimit. Por qeveria e Tiranës nuk e pranoi vendimin e
gjyqit të Hagës dhe nuk ia pagoi dëmshpërblimin Anglisë.

Përveç aventurave të mësipërme, me shtytjen e këshilltarëvet jugosllavë, qeveria e


Tiranës i zhduku krejt intelektualët shqiptarë (dhe Koçi Xoxeja u tregua shumë i
zellshëm në këtë punë) duke e lënë vendin pa kuadra kulture, në mënyrë që
Jugosllavët të hynin kudo, për t'a sunduar dhe n'anën mendore një popull të mbetur
ndër thonjtë e disa kriminelëvet me nga një shkollë fillore. Kurse në Jugosllavi e të
tjera vende komuniste nuk u prekën kuadrat e kulturës, profesorë, inxhinjerë, mjekë,
juristë etj., që s'ishin përzierë në politikë.

Në Korrik 1948, kur Jugosllavia u përjashtua nga Kominformi, komunistët e Tiranës


gjetën rastin që të shkëputeshin prej saj dhe të lidheshin drejtpërdrejt me Rusinë.
Kështu, prej një dite në tjetrën, Tito-ja që kishte qënë gjysëm-perëndi, u ndërrua në
fashist, reaksionar, imperialist, djall i mallkuar, lugat i zi, dhe fotografitë e tija ishin
hequr prej zyrave e ndërtesave publike! Transformime më të mbrekulluarshme se kjo
s'ka se si bën komunizmi!
Disa këshilltarë rusë kishin ardhur në Shqipëri pak muaj përpara kësaj ngjarjeje. Të
tjerë erdhën më pastaj për të zëvëndësuar Jugosllavët si këshilltarë ministrish, teknikë,
ekspertë, organizatorë, në polici, n'ushtëri, në shkolla, në ndërtime dhe ndërmarrje
industriore, në të gjitha degët e ekonomisë dhe të kolektivizimit. Kështu komunistët e
Tiranës arritën "moshën madhore", domethënë fituan të drejtën që të lidhëshin
drejtpërdrejt me Moskën! Po edhe ky këthim, sikurse çdo tjetër, nuk mund të bëhej pa
gjak. Ai që e pagoi këtë rradhë ishte Koçi Xoxe-ja, të cilit iu hodhën të gjitha thasët
me plehë të bashkëpunimit me Jugosllavinë. Ishte e vërtetë që Koçi Xoxja pat qënë
agjenti më i besuar i Jugosllavëvet dhe fytyra m'e ndyrë që mbante toka shqiptare
përsipër, por të gjitha ato që ishin bërë i kishte vendosur Partia me Enver Hoxhën në
krye. Ky rast solli edhe afrimin midis Hoxhës dhe Shehut. Rrethanat kërkonin një
njeri të fortë. Kështu pas Koçi Xoxes që kishte vrarë me mijëra me anën e "gjyqit të
popullit", gjersa kaloi edhe ai vetë në atë "gjyq", ministër i Punëve të Brendëshme u
bë Mehmet Shehu, që kishte vrarë me mijëra por me dorën e vet.

Përsa iu përkiste ndihmave dhe marrëdhënievet në lëmin e ekonomisë, Shqipëria


komuniste filloi lidhjet e drejtpërdrejta me Rusinë dhe shtetet e tjerë satelitë t'Evropës
lindore. Disa prej këtyre, por sidomos Rusia, i çelën kredi Shqipërisë për realizimin e
"planevet pesëvjeçarë" që erdhën njëri pas tjetrit, i dhanë ndihmën teknike në maqina
dhe njerës për zhvillimin e industrisë, sidomos për shfrytëzimin e lëndëvet të para
(vajguri, serë, krom, qymyr, bakër, nikel etj.) dhe të prodhimevet kryesore të vendit:
dru, duhan, mish, peshk, vaj, ullinj, gjalpë, djathë, lëkura, konserva pemësh etj., të
cilat shkonin vazhdimisht në Rusi ose gjetkë për të paguar maqinat, teknikët,
armatimin dhe pajisjen e ushtërisë.

Më 1948, Partia komuniste shqiptare u pagëzua me një emër të ri: Parti e Punës. Në
Korrik 1950, i bëri edhe disa ndryshime Kushtetutës së vitit 1946 për t'ia përshtatur
asaj të Bashkimit Sovjetik. Rusia shikohej si atdheu i vërtetë i komunistëvet shqiptarë;
çdo fymje që i bëhej asaj ndiqej prej kodit penal si t'i ishte bërë shtetit shqiptar dhe
dënohej egërsisht deri tek fëmijët katërmbëdhjetë-vjeçarë. Për një bombë që u hodh në
kopshtin e ambasadës sovjetike, më 19 të Shkurtit 1951, dhe që s'bëri asnjë dëm tjetër
veçse gërvishi pak tokën, u kapën dhe u pushkatuan pa asnjë formalitet 74 Shqiptarë
të dyshimtë kundrejt regjimit; nja 600 të tjerë u dënuan me burgime të ndryshme.
Thuhet se hedhja e bombës në Ambasadën sovietike u bë prej vetë komunistëvet, për
të kryer me atë "shkak" një "spastërim" të përgjithshëm.

Më 1949, Shqipëria hyri si antare e Këshillit për ndihmën Ekonomike Reciproke, që u


krijua në Jenar t'atij viti ndërmjet shtetevet komunistë t'Evropës si një shtojcë e
Traktatit të Varshavës. Pastaj u pranua edhe si antare e këtij Traktati, të cilin e
nënshkroi me rastin e përsëritjes së tij, në Maj 1955. Kështu Shqipëria bënte pjesë në
"sistemin e mprojtjes" së Blokut të Lindjes.
Ndihma financiare dhe teknike e Rusisë, e Gjermanisë lindore, e Çekosllavakisë, e
Hungarisë dhe e Bullgarisë nuk e plotësoi dot as "industrializimin" e vendit, as
"transformimin" e bujqësisë. Planet pesë vjeçarë, të filluar me aq bujë, kryeshin vetëm
në statistikat zyrtare. Me ato ndihma u përmirësua shfrytëzimi i vajgurit, i serës dhe i
mineralevet të tjera, u ngritën gjithashtu disa fabrika konservash, duhani, pëlhurash
dhe të përpunimit të drurit, domethënë gjithçka lidhej me ato prodhime e lëndë të para
që iu nevojiteshin Rusisë dhe satelitëvet të saj. Por shkallë-jetesa e popullit mbeti ajo
që ishte në mos ra edhe më poshtë akoma.

Porsa Partia komuniste mori fuqinë, shpalli me bujë, me 1945-46, ligjet e "reformës
agrare", me anën e të cilavet i premtonte gjer më 5 hektarë tokë çdo familje bujku të
përbërë prej 5 vetash. Mirëpo njëkohësisht filluan kooperativat bujqësore dhe ato të
shitje-blerjes, të cilat e këthenin bujkun në skllav të shtetit. Detyrimet që ai duhej të
lante në natyrë caktohëshin në letër sipas normavet, që shpesh herë e kapërcenin krejt
sasinë e prodhimit të bujkut, domethënë ky duhej t'i jepte shtetit më shumë se sa mund
të prodhonte toka drithë, bagëtia qumësht, mish e lesh, pula vezë etj. Në mos kishte,
duhej t'i gjente! Përndryshe, jo vetëm që i rrëmbehej kafshata e fundit e fëmijëvet, po
edhe rrihej, pështyhej, burgosej si "kullak", sabotonjës, armik i popullit. Artikujt e
fabrikuar, si pëlhurë, vajguri, kripë etj., bujku duhej t'i blinte në dyqanin e shtetit
me shkëmbim, domethënë duke dhënë prodhime të natyrës, si drithë, lesh, gjalpë, vezë
etj., me një ndryshim çmimesh e një mënyrë shfrytëzimi që s'ka shembull në historinë
e njerëzisë. Nëqoftëse fshatari vetë kishte nevojë vetë për kësi prodhimesh, ishte i
përjashtuar nga e drejta e blerjes me triska (me çmimet e caktuara zyrtarisht) dhe
shtrëngohej që t'i blinte në të tjerë dyqanë (që edhe këta mbahëshin prej shtetit) por
me çmime shumë më të larta. Në këto kondita, me mijëra bujq e braktisën tokën dhe
shkuan të bëheshin punëtorë krahu atje ku mundnin sa për të mos vdekur urije.

Pas periudhës së parë të "kooperativavet", u bë kolektivizimi në kolkhoza, që nuk e


shtoi vëllimin e prodhimit as nuk e përmirësoi gjendjen e bujkut. Thuhet se
kolektivizimi në bujqësi u plotësua më 1960, duke përfshirë përmbi 86% të tokavet të
punuarshme. Me se do të punohëshin këto toka? Me ca traktorë të ndryshkur që jepte
Rusia? Me ca maqina të dala jashtë përdorimit që shteti shqiptar i paguante dy-tri herë
më shtrenjtë se sa kushtonin të rejat në tregun e perëndimit?

Njëkohësisht me kolektivizimin e tokavet, komunistët bënë edhe shtetizimin e


bagëtivet, duke e lënë katundarin me gisht në gojë. Por mbasi bagëtia ka nevojë për
kujdesje të veçantë (kujdesje dashurore) nga ana e të zot, nuk mund të bëjë ondi në një
sistem të kolektivizuar, ku askush s'i kushtohet me aq zemër sa ai që e kish. Kështu
që, menjëherë pas shtetizimit gjë e gjallë filloi të bjerë poshtë dhe thuhet se sot nuk
është as sa një e katërta e numrit që ishte përpara luftës.
Sadoqë komunistët mburren me "realizimet e mëdha", me kombinatin e tekstilit
"Stalin", me rafinerinë e vajgurit në Cërrik, me hidroçentralin "Lenin", dhe me ca
fabrika të tjera të llojevet që përmendëm me sipër, s'kanë arritur dot kurrë gjer më sot
t'a nginjin popullin me bukë, se për të tjera nevoja nuk flitet ndën atë regjim. Të gjitha
parashikimet e tyre kanë dalë ëndërra dhe planet pesëvjeçarë kanë dështuar, sidomos
përsa i përket bujqësisë, pa mundur as gjatë 25 vjetëve të sigurojnë sasinë e duhur
t'ushqimevet me anën e prodhimit të brendshem. Shifrat dhe statistikat e tyre janë
flluska sapuni, i tërë sistemi i tyre është një burokraci ku ngatërrojnë njëri-tjetrin, ku
spiunojnë njëri-tjetrin, ku shtypin njëri-tjetrin, e sidomos klasën e fshatarëvet që e
kanë bërë një zhele për t'ardhur keq. Rrëzohet burri i fikur nga uria -na thonë ata që i
kanë parë me sy- jetojnë fëmija me barishte dhe mbulojnë mishrat me rrecka që s'kanë
sesi arnohen më. Edhe kur këthehen njerëzia të këputur nga puna, edhe kur nuk kanë
se ç'të hanë për darkë, duhet të shkojnë qoftë edhe nëpër shi e dëborë, në vendin e
mbledhjevet, sado larg që të jetë, për të dëgjuar konferencat e "edukimit marksist" që
iu gargarit gjer në mes të natës ndonjë zuzar me dy-tri klasë fillore.

Ndonëse komunizmi është një ideologji materialiste, dhe si i tillë duhej t'iu siguronte
njerëzve të paktën mirëqenien materiale të cilën ua premton me aq bujë, pikërisht
ndën atë regjim vuajnë popujt edhe për kafshatën e bukës më tepër se ndën çdo tjetër
shfrytëzim tiranik ose kolonialist. Ky mjerim në Shqipëri ka zbritur në një shkallë të
papërshkruarshme, jo vetëm sepse vendi ndodhej ekonomikisht në një gjendje fort të
prapambetur, po edhe sepse komunistët shqiptarë kanë qënë më të paditur, më kokë-
ngushtë dhe më tiranikë nga të gjthë kriminelët e këtij lloji.

Dështimi i planevet ekonomikë ndën atë regjim ka disa arsye të përgjithshme që


lidhen me sistemin komunist dhe arsye të veçanta për Shqipërinë. E para, askush prej
njerzëzve të rëndomtë nuk shtie në punë me vetëdashje të gjitha energjitë e tija kur
nuk punon për vehte po për një qënie abstrakte siç është shteti ose kolektiviteti, prej të
cilit nuk sheh asnjë mprojtje, asnjë të mirë, veçse frikë, shtypje e shfrytëzim gjer në
palcë. Përse do të punojë bujku i kolkhozës kur të gjithë prodhimin e djersës së tij ia
merr shteti, duke ia paguar me një çmim qesharak, dhe mandej këthehet e ia shet pesë
ose dhjetë herë me shtrenjtë kur ai detyrohet të blejë? Në këto kushte, energjitë e tija
s'mund të shtihen në punë veçse me shtrëngim. Prandaj në çdo degë të veprimtarisë
ekonomike është krijuar një burokraci policore, që jeton si parasite duke ruajtur e
shtypur ndënë thundra ata që detyrohen të punojnë. Dhe mbasi, n'organizime të
këtilla, ata më të zotët ose më dhelparakët dinë të sigurojnë për vehte një vend si
mbikqyrës, policë a spiunë, ata që shtypen janë gjithmonë njerëzit e thjeshtë, e
sidomos gratë. Në të gjitha shoqëritë e prapambetura, gruaja ka qëne skllavja m'e
shtypur dhe m'e shfrytëzuar. Kjo gjendje e saj vazhdon m'e keqe akoma ndënë
regjimin komunist që premtonte me aq bujë çlirimin e gruas. Gratë në Shqipëri,
përveç mbajtjes së shtëpisë dhe të fëmijvet, përdoren në të gjitha punët e jashtëme, në
bujqësi, në fabrika, në ndërtime rrugësh e tharje kënetash. E dyta, ata që drejtojnë
punët e bujqësisë -burokracia drejtonjëse- janë vetëm sa për të ngatërruar, për të
penguar, bazohen në plane e norma abstrakte, që s'kanë përputhje me realitetin, dhe
për të dalë me sukses përpara Partisë, s'iu mbetet tjetër veçse të shtypin fshatarin dhe
t'i marrin deri kafshatën e fundme të fëmijëvet. Prandaj, për të gjitha këto arsye, është
vënë re si në Bashkimin Sovietik ashtu edhe në të tjera vende komuniste se fshatari
prodhon dy-tri herë më tepër në ndonjë copë kopsht që i është lënë si tokë e veçantë,
se sa me tërë punën që bën në kolkhozë. E treta, duke mbajtur regjimi komunist
shqiptar gjatë 25 vjetëve një ushtëri në gjendje lufte, me ushqim, veshmbathje dhe
armatimin më modern, lart nga gjysma e prodhimit të vendit ka shkuar për këtë dhe
për policinë e Sigurimit, që sigurojnë qëndrimin në fuqi të satrapëvet të Partisë. E
katërta, në shkëmbimet e jashtëme, Shqipëria ka qënë shfrytëzuar në një mënyrë të
tmerrshme, më parë prej Jugosllavisë dhe pastaj prej Rusisë.

Thamë më sipër se Jugosllavia mori të gjithë mallin që ishte grumbulluar në Shqipëri


në sasi të mëdha prej tregëtisë me Italinë gjatë Luftës, kur tregëtarët shqiptarë, duke
mos pasur besim në kartëmonedhën, i kishin kthyer kapitalet e tyre në depozitë malli.
Këtë ua rrëmbeu rregjimi komunist dhe e bëri të kalonte në Jugosllavi, duke e lënë
popullin shqiptar xhveshur e zbathur. Pastaj erdhën Rusët, si këshilltarë, teknikë,
organizatorë etj., që në të vërtetën ishin sundimtarët e vendit dhe paguheshin tri-katër
herë më lart se nënpunësit shqiptarë të së njëjtës gradë. Kështu Rusët mblodhën sendet
me vleftë, orendi e plaçka shtëpie, veshje të moçme e qëndime, stoli prej ari
edh'argjendi, që familjet shqiptare u shtrënguan t'i shisnin për një copë bukë.

Por shfrytëzimin më të madh Rusia ia bënte Shqipërisë, sikurse edhe satelitëve të


tjerë, n'imponimin e planeve ekonomike dhe në shkëmbimet tregëtare. Shqipëria
duhej të zhvillonte jo ato prodhime për të cilat kishte nevojë vendi, por ato që hynin si
element plotësonjës n'ekonominë sovjetike. Pastaj maqinat e saja të vjetëruara Rusia
ia shiste Shqipërisë dy-tri herë më shtrenjtë se sa mund të ishte vlefta e tyre në tregun
e lirë të Perëndimit, kurse prodhimet shqiptare i blinte dy-tri herë më lirë. "Këshilli i
Ndihmës Ekonomike Reciproke" që lidhej me traktatin e Varshavës, ishte krijuar
pikërisht për të mbajtur ndën kontrollin sovjetik ekonominë e satelitëvet. Asnjë tjetër
kolonializëm nuk ka qënë aq shfrytëzonjës sa ai i Rusisë sovjetike. Dhe ky bëhej m'i
rëndë akoma mbi popujt e prapambetur, që s'e drejtonin dot vetë organizimin e
brendshëm ekonomik të tyre, siç ishte rasti i Shqipërisë.

Këtë gjë e pohuan vetë "mprojtësit" e popullit, mbasi u prishën me Rusinë, duke e
shkruar e trumbetuar në të katër anët: "Bashkimi Sovjetik e shfrytëzonte vendin tonë
në një mënyrë të tmerrshme, duke i blerë prodhimet e Shqipërisë me çmime fort
t'ulëta dhe duke na shitur shumë shtrenjtë maqinat e shkatërruara dhe mallin e dobët
që s'i shitej n'asnjë vend të botës".
Një farë "liberalizmi" që filloi në Rusi pas vdekjes së Stalinit dhe që u përhap deri
diku nëpër të tjera "demokraci popullore" t'Evropës së Lindjes, nuk u pranua prej
shtetit komunist më të madh, Kinës, dhe prej atij më të voglit, Shqipërisë. Partia
komuniste shqiptare nuk mund të ndryshonte metodë, sepse m'i vogli çlirim i
brendshëm ose m'e lehta ardhje në takim me botën perëndimore do të sillte në popull
plasaritje dhe çthurje, të cilat do të zgjeroheshin shpejt në përpjestime të mëdha e do
të përfundonin me rrëzimin e komunizmit. Duke mos pasur një bazë në popull dhe
duke u mbajtur vetëm me anën e organizimit policor, që s'lë tre veta të bashkohen tok,
Partia komuniste shqiptare, qysh me ngjizjen e saj, s'e kish kuptuar e praktikuar
ndryshe komunizmin veçse si një terror të vazhduar. Ndonëse për të pranuar mënyrën
e qeverisjes me anën e një këshilli kolegjial, që u bë si modë në Kremlin pas vdekjes
së Stalinit, Enver Hoxha ia lëshoi kryesinë e qeverisë Mehmet Shehut, duke mbajtur
për vete sekretarinë e Partisë, tiranët e Tiranës vazhduan të tregoheshin më "stalinistë"
nga Stalini.

Duke iu këshilluar "shokëvet" shqiptarë mënyrën kolegjiale të qeverimit, Moska


kujtoi se do të mund t'a kontrollonte më kollaj partinë e tyre duke përfituar nga
rivaliteti ndërmjet Hoxhës dhe Shehut. Por këta e kuptuan si duket se që të dy i priste i
njëjti fat, ai i rrëzimit dhe i zëvendësimit me të tjerë, siç ka ngjarë me krerët e partivet
komuniste pothuajse kudo në shtetet satelite t'Evropës. Prandaj u lidhën midis tyre dhe
nisën të shtrëngonin rreth vehtes bërthamat e Partisë për t'i shpëtuar rrezikut.

Qielli i miqësisë me Bashkimin Sovjetik filloi të vrënjtej, jo edhe aq ndoshta për


shkaqe ekonomike (për shfrytëzimin që Rusia i bënte Shqipërisë) se sa për arsye të
pasurisë personale të kryetarëvet të sotshëm të regjimit. Me vdekjen e Stalinit, përveç
se në drejtimin e brendshëm, ngjajtën disa ndryshime edhe në politikën e jashtëme të
shtetit sovjetik. Metodat e Khruhçovit, sikurse edhe personaliteti i tij, ishin të
ndryshme nga ato të Stalinit. Pa ndërruar asgjë nga objektivat e komunizmit
ndërkombëtar, Khruhçovi u tregua m'i butë, m'i hapur, m'i gatishëm për bisedime, m'i
kollajtë për t'u gjetur kudo dhe për të hyrë më çdo vend; metoda këto që mund t'i
vlenin politikës ruse më shumë se sa qëndrimi i hekurt i Stalinit. Mirëpo një çlirim i
gjendjes ndërkombëtare i shtinte frikën regjimit tiranik të Tiranës aq sa edhe çlirimi i
gjendjes së brendëshme. Sikurse përbrenda që nuk mbahej veçse me anën e terrorit,
ashtu edhe kundrejt botës së jashtëme ai s'mund të qëndronte veçse në sajë të një
tensioni ndërkombëtar të vazhduarshëm.

Porsa në prendverën e vitit 1955 Khruhçovi me Bulganinin bënë vizitën e parë në


Belgrad për t'u pajtuar me Titon, duke ia hedhur politikës së Stalinit fajin e përçarjes,
komunistët shqiptarë nisën t'a ndienin gjallë frikën se mos Rusia ia linte Shqipërinë
Jugosllavisë, si përpara 1948-ës. Për të gjetur një pështetje tjetër përjashta, krerët e
Tiranës zunë të vështronin nga Kina, e cila, për disa arësye sociale, kulturore e gjeo-
politike, do të ketë gjithmonë kundërshtime me Rusinë, pavarësisht nga çdo ideologji.
Marrëdhëniet shqiptaro-kineze filluan të bëheshin më të ngushta, dhe si ambasador i
Shqipërisë në Pekin shkoi një nga shokët e besuar t'Enver Hoxhës. Shtypi dhe
propaganda e Tiranës u vunë të flisnin shumë më tepër për Kinën se sa për Bashkimin
Sovjetik, duke i trumbetuar në të katër anët ato pak ndihma n'oriz, grurë e sheqer që
Mao Ce-tungu mundi t'iu dërgonte miqve shqiptarë.

Por gjendja e Shqipërisë ndodhej në shkallën e fundit. Ndihmat e Rusisë e të


satelitëvet s'kishin mundur t'a mëkëmbin. Planet pesëvjeçarë kishin dështuar njëri pas
tjetrit. Kështu në fillim të vitit 1957, nëntë vjet pas shkëputjes nga Jugosllavia,
ekonomia shqiptare ishte në buzë të greminës. Atëhere dy gjelat e regjimit, Hoxha dhe
Shehu, rendën në Moskë për të lypur një ndihmë më të madhe. Rusët pranuan t'ua
fshinin nga defteri borxhet e vjetra prej nja 400 milionë rublash dhe t'iu çelnin kredi të
tjera, por me kusht që këtë rradhë t'a merrnin ata vetë në dorë jo vetëm organizimin
dhe drejtimin ekonomik të vendit, por edhe mbikqyrjen e të gjitha degëvet
t'administratës shtetërore. Sipas kësaj marrëveshjeje që u nënshkrua në Moskë nga
Hoxha e Shehu, në Prill të 1957-ës, Shqipëria hynte tërësisht ndën kontrollin e Rusisë
Sovjetike. Vetëm me këtë kusht kjo i çelte një kredi të re prej 300 milionë rublash për
zbatimin e planit të tretë pesëvjeçar. Por as ndihma e Rusisë, as ajo e Çekosllovakisë,
e Hungarisë dhe e Gjermanisë lindore, të cilat premtonin se do të dërgonin maqina
dhe personel teknik, nuk mundën t'a ndryshonin gjendjen ekonomike të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, afrimi gjithmonë m'i dukshëm i Moskës me Belgradin dhe kushtet e
rënda që ajo iu vuri komunistëvet shqiptarë për dhënien e ndihmës, i forcuan dyshimet
e këtyre se Jugosllavia kishte për Rusinë një rëndësi shumë më të madhe nga
Shqipëria, e cila, me zbulimet e reja në lëmin e armëvet bërthamore, e kish humbur
edhe vleftën e dikurshme si bazë strategjike. Masat kundrejt rrezikut jugosllav filluan
menjëherë. Në Nëntor të vitit 1956, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan në Tiranë
(me gjithë ndërhyrjen e Khruhçovit për t'i shpëtuar) gjeneral Dali Ndreu dhe e shoqja,
Liri Gega, figura të rëndësishme në Komitetin Qendror të Partisë, por që shikoheshin
si miq të Jugosllavëvet. Katër vjet më vonë, në Nëntor të vitit 1960, Partisë komuniste
iu desh të përjashtonte përsëri nga Komiteti Qendror dy antarë fort të rëndësishëm,
Koço Tashkon dhe Liri Belishovën, si miq të Moskës. Kjo krizë bëri që mbledhja e
Kongresit të katërt të Partisë të shtyhej dy herë, gjersa më në fund mundi të mbahej
më 13 Shkurt 1961, pas dërgimit me bujë të një delegacioni në Kinë, i cili lidhi me
Pekinin një varg traktatesh ekonomike e financiare, përveç atyre që patën qënë
nënshkruar më 15 Jenar 1959. Marrëveshja e vitit 1961, sipas të cilës Kina do t'i jepte
Shqipërisë mjetet teknike e financiare për vazhdimin e planit të tretë pesëvjeçar,
ndonëse në të vërtetë s'ishte veçse një pështetje morale për Partinë dhe Kongresin e
saj, shënon kthesën e plotë të komunizmit shqiptar drejt Kinës.

Në Maj 1959, Khruhçovi pat bërë një vizitë në Shqipëri me qëllim që të davariste retë
e moskuptimit ndërmjet politikës së tij dhe Partisë komuniste shqiptare, duke dashur
si duket të sqaronte çështjen e afrimit me Jugosllavinë, çështjen e "bashkëjetesës
paqësore" me botën kapitaliste dhe ndoshta natyrën e lidhjeve ekonomike e të çdo lloji
ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Por u kuptua se as kjo vizitë nuk pati
shumë sukses me gjithë bujën që bëri. Ftohja ndërmjet komunistëvet shqiptarë dhe
Blokut sovjetik u bë përditë m'e ndieshme dhe m'e dukshme. Mospërfillja dhe
përbuzja që u bëhej "stalinistëve" shqiptarë nga ana e delegatëve rusë dhe të vendeve
satelite nëpër mbledhjet e ndryshme ndërkombëtare i kish rënë në sy kujtdo dhe shtypi
i përbotshëm nisi të fliste haptas.

Përpara Kongresit të katërt të Partisë, më 13 Shkurt 1961, Enver Hoxha dha një lajm
me bujë se ishte zbuluar gjoja një komplot kundër regjimit, i shtytur prej Greko-
Jugosllavëvet me përkrahjen e Flotës VI amerikane të Mesdheut. Pas një "gjyqi"
theatror sipas zakonit, ku i tërë "proçesi" ishte i trilluar fund e krye, të pandehurit, nër
të cilët edhe një kundër-admiral, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan në Maj t'atij
viti. Një muaj pas këtij "proçesi", Rusët u tërhoqën nga baza detare e Vlorës dhe e
Sazanit. Njëkohësisht zu të largohej edhe personeli teknik rus ose i vendevet të tjera
satelite. Kjo këputje e marrëdhënievet me Blokun sovjetik u bë e dukshme për cilindo,
por komunistët e Tiranës përpiqeshin t'a mbanin të fshehur akoma.

Mirëpo Khruhçovi nuk e ndjeu nevojën e fshehjes dhe e shpalli botërisht konfliktin
me klikën e Tiranës përpara Kongresit XXII të Partisë komuniste ruse, që u mlodh në
Moskë më 17 Tetor 1961, dhe ku "shokët" shqiptarë nuk ishin ftuar fare. Përveç
Kinezit Shu En-lai, asnjë nga delegatët e Partivet komuniste të botës nuk mori anën e
Shqiptarëvet.

S'është nevoja të zgjatemi këtu mbi përgjigjet e Tiranës, demostratat e organizuara,


ulërimat e shtypit dhe të radios, fjalimet e krerëvet, zhurma të njëllojta me ato që u
bënë kundër Jugosllavisë në kohën e përjashtimit të kësaj nga grupi i satelitëvet. Edhe
Khruhçovi u vu në rradhën e Titos: "revizonist", mohonjës i "marksizëm-leninizmit"
etj. Marrëdhëniet me Rusinë sovjetike u këputën fare, ato me satelitët e tjerë u ftohën
krejt. Personeli teknik i tyre u tërhoq prej Shqipërie.

Ishte treguar një mendje politike e rrallë ky Enver Hoxha kur shkruante e thoshte, më
1943, se "popullsitë, në Kosovë, do të merren vesh vetë në mes të tyre dhe do të
vendosin nga të shkojnë" dhe se Shqiptarët do të kishin "mprojtjen e Bashkimit
Sovjetik, mprojtësin e shteteve të vogla dhe të gjithë popujve"! Sesi "vendosi vetë
populli i Kosovës" u pa dhe po shihet vazhdimisht; vrasjet në masë që përmendëm më
sipër, operacioni policor i vitit 1956, që iu theu gjymtyrët në tortura një numuri të
madh Kosovarësh, "zbulimet" e Shtatorit 1966 mbi tmerret dhe metodat e çfarosjes që
policia e Rankoviçit kish përdorur kundrejt Shqiptarëvet të Kosovës, aq sa u muar me
to edhe shtypi ndërkombëtar, provuan se politika e Serbëve përsa i përket Kosovës,
cilido që t'ishte regjimi i tyre, mbetej ajo e vitit 1913. Sa për "mprojtjen e Bashkimit
Sovjetik, mprojtësin e shteteve të vogla e të gjithë popujve" edhe kjo u pa sesi e
"mprojti" Hungarinë më 1956 duke shtypur me dhjetra mijë Hungarezë ndënë rrotat e
tanksevet dhe sesi e "çliroi" Çekosllovakinë, në Gusht 1968, kur e mbuloi më
divizionet e koracuara e i zuri frymën një populli 15 milionësh.

Pas këputjes së marrëdhënievet me Moskën dhe pothuajse me gjithë grupin e shtetevet


satelitë, Shqipëria komuniste u pështet tërësisht në përkrahjen morale dhe ndihmën
ekonomike e financiare të Kinës. Ndonëse, sipas marrëveshjevet, kjo do t'i çelte
Shqipërisë një kredi prej 125 milionë dollarësh, ndihmat u ndërprenë disa herë, mbasi
Kina ishte vetë një vend i uritur e i prapambetur. Mandej personeli teknik që dërgoi
Kina për të zëvëndësuar Rusët dhe specialistët e tjerë t'Evropës lindore, nuk kishte
aftësinë e atyre. Kështu ekonomia shqiptare kaloi nëpër një tjetër krizë paralizimi. Prej
shtetevet jo-komunistë t'Evropës Shqipëria ka lidhje diplomatike vetëm me Italinë,
Francën, Austrinë dhe Turqinë. Mirëpo prej këtyre nuk mund të kërkonte specialistë,
jo vetëm sepse nuk donte t'iu hapte "sekretet" e ekonomisë së saj "socialiste", por
kishte sidomos frikën se me anën e tyre mund të përhapej në popull fryma e idevet të
lira të Perëndimit. Megjithatë, n'ato rrethana, pati deri diku ndihmën e Italisë me të
cilën i përmirësoi disi marrëdhëniet.

Shqipëria kishte një rëndësi shumë të madhe për Kinën sepse mund t'i vlente kësaj si
baza m'e largët n'Evropë e në Mesdhe për të mbajtur e përhapur idetë e komunizmit
kinez sipas profetit Mao Ce-tung. Dihet se Kina kërkon të dalë në krye te komunizmit
botëror përmbi Rusinë sovjetike. Mao Ce-tungu paraqitet si udhëheqësi i vërtetë
i marksizëm-leninizmit. Pothuajse në të gjitha partitë komuniste t'Evropës ka një
rrymë, të çfaqur a të fshehtë Maoiste. Tirana është bërë kryeqendra e propagandës
komuniste kineze për tërë Evropën dhe Lindjen e Afërme. Në këto kushte, kuptohet se
sa rëndësi ka Shqipëria për Kinën. Vajtjet e ardhjet, mburrjet dhe lavdërimet, ndërmjet
Tiranës dhe Pekinit kanë qënë nga më të përzemërtat. Rrugët, ndërtesat, shkëmbinjtë,
janë mbushur tani me mbishkrime kineze, dhe fytyra e Mao Ce-tungut, që zëvendëson
atë të Titos, të Stalinit, të Khruhçovit, del kudo si perëndia e re e marksizëm-
leninizmit. Për të bërë diçka që t'i shëmbëllente Revolucionit Kulturor kinez, u hoqën
gradat në ushtëri, u detyruan intelektualët që të shkonin herë pas here për të bërë punë
krahu, u qitën fetë jashtë përdorimit etj. Kina ka vazhduar t'a ndihmojë Shqipërinë pak
a shumë, mbasi e ka bërë bazën e propagandës së saj n'Evropë. Thuhet se gjer më sot
ka në Shqipëri nja 5000 kinezë si teknikë e specialistë në degët e ndryshme
t'ekonomisë. Por çështja që ka bërë më fort bujë në qarqet ndërkombëtare është
vendosja e disa bazave armësh bërthamore, mbi tokë dhe për nëndetëse, që Kina
ndërmori në Shqipëri menjëherë pas pushtimit të Çekosllovakisë prej Bashkimit
Sovjetik, në Gusht 1968. Ku do t'a nxjerrë Shqipërinë aventura e re me Kinën ? Këtë
do t'a tregojë e ardhmja. Dimë vetëm se vendosja e bazave atomike kineze mund të
përbëjë një rrezik shumë të madh për popullin shqiptar.
Mbas gjithë këtyre peripetive, gjendja ekonomike në Shqipëri dhe shtypja e tmerri
kanë mbetur të pandryshuar. Sikur t'iu vihej vesh propagandës dhe statistikavet
zyrtare, ai vend duhej t'ishte bërë parajsë e vërtetë dhe foleja e lumturisë mbi tokë, ose
"Zvicër e Ballkanit" siç thonë disa halldupë që paguhen me ndonjë kockë për të
llomotitur përjashta. Por në Zvicër mund të hyjë e të dolë kushdo, kurse Shqipëria e
tërë është një burg dhe fushë përqëndrimi ku jo vetëm të jashtëmit s'mund të shohin
asgjë përveç ndonjë rrugë, fabrikë a fermë shtetërore model nëpër të cilat i përcjell të
shoqëruar policia, por as Shqiptarët e brendshëm nuk mund të qarkullojnë lirisht prej
një vendi në tjetrin pa një lejë të veçantë, si në një shtetrrethim të përhershëm. Prej
Shqipërie nuk lejohet të dalë kurkush përveç agjentëvet të regjimit. Përse? Nga frika
se mos...ata që dalin nuk këthehen më kurrë? Por cili është ai që nuk do të donte të
këthehej në parajsën? E përse nuk venë të jetojnë n'atë çerdhe lumturie halldupët që
bëjnë propagandë përjashta për të mirat e regjimit ?

Gjëja m'e organizuar te komunistët, përveç policisë dhe spiunimit, është propaganda
dhe ajo që thuhet "vënia në skenë". Ata nuk lënë askënd të qarkullojë lirisht; deri
diplomatët e shtetevet me të cilët kanë lidhje janë gjithmonë nën vrejtje, dhe jo vetëm
që s'mund të venë ku të duan, po edhe s'mund të qarkullojnë veçse nëpër disa rrugë të
caktuara. Kur vjen ndonjë grup i rrallë turistësh nga ana e Jugosllavisë, e merr policia
nën vrejtje në kufi, e shëtit nëpër disa rrugë, i tregon ndonjë fabrikë "model", siç
thamë, e çon në ca hotele e restaurante të pregatitur për atë qëllim, dhe s'i ndahet
gjersa e nxjerr jashtë andej nga erdhi. Kështu, përveç atyre që gënjejnë, askush nuk
sheh gjëkafshë nga jeta e vërtetë e popullit, në Shqipëri, e cila qëndron e fshehur, e
mbyllur prapa perdevet.

Sipas propagandës së tyre, janë ndërtuar kaq hidroçentralë si burime energjie, kaq
fabrika të ndryshme, kaq shkolla, spitale e shtëpi të kulturës, kaq banesa për punëtorë,
janë zbuluar kaq miniera, tharë e përmirësuar kaq toka dhe prodhimi është shtuar kaq
përqind në krahasim me atë që ishte vjet ose parvjet, por nuk japin kurrë një sasi
prodhimi në shifra konkrete, sa tonë grurë për shembull u prodhuan sivjet dhe sa qenë
prodhuar vjet ose parvjet. Duke dhënë si statistikë se prodhimi i sivjetëm, në këtë
degë, e kapërceu pesëdhjetë për qind atë të vjetmin ose qind për qind atë të
parvjetmin, propaganda komuniste iu ngjan flluskavet të sapunit ose balonavet të
fëmijëvet që ngrihen përpjetë me erë. Sikur këto statistika t'ishin të vërteta, përse
populli vuan për bukën e gojës, nuk gjendet një fshatar me këpucë në këmbë veçse me
goma të vjetra, nuk gjen një fytyrë të qeshur, s'gjen njeri që të flejë një mbrëmje i qetë
nga frika se mos e marrin në mes të natës në polici, ku e rrahin, ose në "konferenca",
ose për "punë vullnetare", ose për të bërë manevra ushtarake në mes të dimrit, i
xhveshur e i zbathur, se "po na sulmon Amerika"? Për të vajtur prej një qyteti në
tjetrin, duhet pritur disa javë leja dhe vendi n'autobus. Prej një fshati në tjetrin s'mund
të shkohet pa pasur një arësye, pa një lejë të shkruar nga këshilli i fshatit prej ku
nisesh dhe të vërtetuar nga këshilli i fshatit ku vete.

Edhe sikur komunistët të kenë ndërtuar disa bloqe prej çimentoje me të cilët mburren
sot, a këta do t'a bëjnë lumtërinë njerëzore të një populli që jeton në konditat e
treguara më sipër? Piramidat e ndërtuara prej Faraonëvet t'Egjiptit kanë qënë dhe
mbeten monumente jashtëzakonisht më të bukura, por në themelet e tyre nuk kishte
rrjedhur ndoshta aq djersë, aq gjak, as kishin rënë aq kocka skllevërish sa në themelet
e bloqevet prej çimentoje ndërtuar nga regjimi komunist shqiptar i sotshëm. Nuk ka
mbetur vend pa u përlyer me gjak, nuk ka mbetur burrë pa u rrahur, pa u shnderuar,
nuk ka mbetur fëmijë pa u tronditur nga rënkimi i prindërvet, nuk ka mbetur familje
pa u mbuluar në zi.

Reformat e mëdha të komunistëvet, të cilat kishin për qëllim zhdukjen e klasëvet dhe
transformimin rrënjësor të shoqërisë mbi një bazë jetese kolektive, e cila do të sillte
begatinë ekonomike, lirinë dhe, si rrjedhim, lumtërinë, prunë të kundërtën:
skllavërinë.

Cili është komunizmi? Si një nga theorikët e mëdhenj socialistë (domethënë


iluzionistë) të shekullit XIX, Karl Marksi merr triadën idealiste të dialektikës së
Hegel-it, e materializon, dhe ia përshtat zhvillimit evolutif dhe revolucionar të
shoqërisë njerëzore. Nxjerr prej saj, si një varg gënjeshtrash, theorinë e luftës së
klasëvet dhe të materializmit historik. E lidh kështu të tërë dinamizmin e historisë në
një antagonizëm të vetëm, në atë midis klasëvet kapitaliste dhe proletare. E ka ngritur
këtë antagonismë në shkallën e një realiteti të domosdoshëm, absolut, pavarësisht nga
çdo vullnet ose ndërgjegje njerëzore. Ky mekanizëm materialist varet vetëm nga
mjetet e prodhimit. Janë pra mjetet e prodhimit që krijojnë të gjitha lidhjet politike,
juridike, intelektuale dhe morale midis njerëzvet. Këto lidhje ndryshohen prej kohës
së parmendës në kohën e motorrit.

Rrallëherë ka parë njerëzia një mëndjelehtësi të këtillë në historinë e mendimit. Këto


lloje theorie kanë mbetur si një përrallë romantike, që s'kanë asnjë të vërtetë
shkencore, dhe aq më pak filozofike. Prandaj s'mund të besohen veçse prej fanatikësh
të interesuar, që mbyllin sytë përpara çdo utopie për të kënaqur ambicionet anormale
të tyre.

Nuk po zgjatemi më shumë me theoritë marksiste-leniniste, të cilat nuk kanë prurë


veçse drame të tmerrshme në njerëzi, kur shohim se ç'ka ngjarë nëpër vendet
komuniste dhe veçanërisht në Shqipëri.

E para, ndryshimi i klasëvet nuk mund të zhduket krejt n'asnjë shoqëri njerëzore dhe
aq më pak në shoqërinë komuniste, ku klasa e re (siç e quajti një nga shokët e tyre,
Jugosllavi Djilas), e cila përbëhet prej antarëvet të partisë dhe burokratëvet të çdo
dege, ka mbi masën popullore një fuqi shtypëse shumë herë më të madhe, më të
shtrënguar nga ç'e kishin Faraonët e Egjiptit, Satrapët e Lindjes, Feudalët e Kohës së
Mesme dhe të gjithë ata që kanë sunduar mbi njerëz. Sepse n'ato kohë nuk kishte
mjete as njihëshin mënyra organizimi për t'a mbledhur e kontrolluar jetën e njerëzvet
deri në brendësinë e vatrës familjare, deri se ç'flet i shoqi me të shoqen. Kështu, në
regjimin komunist, ndarja e shoqërisë në dy klasë, n'ata që kumandojnë dhe n'ata që
binden, është m'e tmerrshme se në çdo tjetër organizim shoqëror, qoftë edhe ndënë
tiranët e çmendur si Neroni apo Kaligula.

E dyta, liri nuk mund të ketë kurrë atje ku njeriu, përveç atyre që kumandojnë,
shikohet si një mizë përdhese e bashkësisë shoqërore, ku jeton si në një regjiment dhe
bie e ngrihet me urdhërin e kujdestarit tëkolkhozës a të kolektivës. Sa për begatinë
ekonomike, është ajo që duket sheshit në botën komuniste dhe që në Shqipëri ndodhet
në një shkallë shumë më t'ulët akoma. Vetëm klasa kumanduese ka magazitë e saja të
veçanta. Pra pa këto të dyja, pa lirinë dhe begatinë, s'ka sesi vjen as lumtëria.

Prova m'e dukshme që komunistët e kanë pothuajse të tërë popullin kundër tyre është
mënyra tiranike e qeverimit të tyre. Masat nuk mund të mbahen veçse me anën e
policisë dhe të terrorit. Ata që drejtojnë ose kumandojnë kolektivat ekonomike nuk
kanë veçse një kujdes: të përmbushen normat që urdhëron Partia, pa shikuar sesi e
shtypin fshatarin a punëtorin gjer në palcë, sesi i heqin kafshatën e fëmijëvet, sesi e
përdorin më keq se një kafshë dhe i japin vleftë më pak se veglavet të punës. Kurse
antarët e Partisë shpifin e spiunohen ndërmjet tyre duke i ngrënë kokën njëri-tjetrit për
t'i zënë vendin. Frika e Partisë kundrejt popullit është e tillë sa që sheh kundërshtarë
kudo; dhe zhduk herë pas here duke trilluar "proçese" të gënjeshtërt fund e krye ose
duke vrarë me anën e policisë së fshehtë jo vetëm ata që dyshohen si kundërshtarë të
tanishëm, po edhe të tjerë që mund të bëhen të dëmshëm më vonë. Frika e
komunistëvet është pathologjike dhe tërë bota e di sesi zhvillohen "proçeset" nëpër
"gjyqet" e tyre. Kjo ngjan sidomos kur kanë një qëllim politik, për të trilluar gjoja një
ndërhyrje të jashtëme ose për t'ia hedhur përgjegjësinë e dështimit të planevet
ekonomike ndonjë "sabotimi" të brendshëm. Vendimi për zgjedhjen dhe zhdukjen e
viktimavet merret nga qendrat e Partisë. Pastaj, për propagandë ose për tmerr, luhet
theatri i "gjyqit të popullit", ku paditë, proçeset dhe deri "pohimet" e të pandehurvet
nuk kanë asgjë të vërtetë. Viktimavet, me anën e torturavet që iu bëjnë nëpër
bodrumet e burgjevet, iu thyejnë çdo vullnet qëndrese dhe ua mësojnë përmendsh
dialogun e kurdisur që do të zhvillohet ndërmjet tyre dhe trupit "gjykues". Dialogu
është një gënjeshtër e thurur që në fillim e në mbarim: viktimat padisin vetvehten
duke u njohur fajtorë për krimet më të rënda kundrejt shtetit dhe Partisë, përpara
"gjykatësve" aktorë theatri dhe një publiku partizanësh që përpjek duart, vërshëllen
ose pështyn të pandehurit. Ky është "gjyqi i popullit" i shpikur prej Stalinit dhe i
ruajtur në Shqipëri pikë për pikë.

Por dëmi m'i madh që komunizmi i ka prurë kombit shqiptar është rrëzimi n'anën
morale, prishja e karakterit, prishja e gjuhës, prishja e çdo vlefte që mund të quhej
kombëtare. Besimin fetar në Zotin e kanë zëvendësuar me besimin në Partinë
(domethënë n'Enver Hoxhën e Mehmet Shehun), rreth së cilës kanë krijuar një mistikë
sikur ajo është e vërteta absolute. Ungjillin dhe Kuranin i kanë zëvendësuar
memarksizëm-leninizmin, i cili duhet besuar me të njëjtën bindje mistike sikur
përmban të vërtetën absolute. Dhe mburren qenërisht se gjoja e kanë liruar mendjen
dhe ndjenjën e popullit prej fanatizmit fetar, kurse në të vërtetën s'bëjnë tjetër veçse e
zëvendësojnë atë me fanatizmin për Partinë, i cili është m'i dobëti dhe m'i poshtri i të
gjithë fanatizmavet, sepse kërkon t'a uli njeriun në radhën e skllevërve të dikurshëm
t'Orientit që duhej t'adhuronin si perëndi Faraonin ose despotët e tjerë. Sipas shkallës
morale të komunistëvet, është e mirë çdo gjë që i shërben Partisë, dhe e keqe, çdo gjë
që s'i shtrohet asaj. Si vlefta më të larta mbahen gënjeshtra, spiunimi, trathëtia e
vrasja, nëqoftëse ashtu e don interesi i Partisë. Si fëmijë më të mirë, më të pajisur,
çmohen ata që spiunojnë prindët, mësuesit, shokët. Gjatë Luftës, iu bënin antarëvet
edukimin e ri sipas moralit komunist, sesi të vrisnin mizorisht deri prindët e tyre, sesi
të gënjenin, sesi të spiunonin shoku shokun, sesi të përdornin çdo mjet (ashtu edhe
vajzat) për t'ia arritur qëllimit të Partisë. Ndonjë që stepej përpara krimevet më
çnjerëzore, e dënonin ose e tallnin si tip të dobët që nuk xhvishej dot nga ndieshmëria
borgjeze.

Pra ç'mund të pritet si zhvillim kulture në një klimë morale të këtillë, Regjimi i
sotshëm mburret për numrin e shkollavet, për Institutin e Albanologjisë, për
Universitetin, për punë t'organizuar n'anën shkencore, letrare e artistike. Por ç'vleftë
kanë shkollat nëqoftëse nuk formojnë njerëz, dhe si mund të formohen njerëzit në një
sistem krimi, shtypjeje, përdhunimi, gënjeshtre, hipokrizie, ku i duhet thënë së
bardhës "e zezë" dhe së zezës "e bardhë", Nëqoftëse njeriu ka mundur të ngrihet lart
gjatë qytetërimevet, kjo ka ardhur pikërisht në saje të lirisë së mendimit dhe të
shprehjes së sinqertë të ndjenjës. Pa këto s'mund të ketë veçse skllevër t'ulët, të dobët
e dredharakë.

Në një klimë të këtillë nuk mund të priten krijime të vërteta mendore, letrare e
artistike, sepse kushti i pare i këtyre llojeve krijimesh është liria e shprehjes, çiltëria.
Ata që mbahen për shkrimtarë shqiptarë ndën regjimin komunist janë ca fytyra të
mjeruara, që s'mund të bëjnë tjetër gjë veçse të veshin me një formë "letrare" profkat
propagandistike të Partisë. Shpeshëherë këto profka përkëthehen keq prej gjuhëve të
huaja, dhe shqipja është bërë si një gjuhë skele ndërkombëtare. A këtë "shërbim"
patën shpresuar flamurtarët e Rilindjes prej brezit që do të vinte pas tyre?
Sepse komunistët nuk lejojnë asnjë tjetër mendim politik përveç atij që cakton Partia,
kjo nuk do të thotë që Shqiptarët s'mendojnë.

Por mendimet e tyre, brenda në Shqipëri, nuk mund të çfaqen as t'organizohen në


lëvizje.

Mbasi Balli Kombëtar pat qënë ana tjetër, që e kundërshtoi komunizmin me armë,
është e kuptuarshme që ajo lëvizje të ketë lënë kujtime të pashlyershme dhe deri diku
t'idealizuara. Sipas provavet të gjertanishme, jo vetëm prej brezit të vjetër ata që patën
qënë me Ballin Kombëtar jetojnë ose vdiqën me ato ndjenja, po edhe në brezin e ri ka
një shumicë të madhe që mbahet me ato mendime. Dhe është e natyrshme: sa më
shumë që komunizmi shtyp e shtrëngon, aq më fort njerëzit kërkojnë një tjetër grupim
se ku të pështeten, ose të paktën se ku të shpresojnë. Mbasi vetë propaganda
komuniste e ka paraqitur Ballin Kombëtar si antagonistin numër një, dhe mbasi tek të
pakënaqurit, nëpër kolkhozat, nëpër fushat e përqëndrimit, në punët e detyruara e, me
sa kemi dëgjuar, nëpër shkollat, është e pamundur që të mos flitet, qoftë edhe
nënkuptuaras, me një farë mallëngjimi për Ballin Kombëtar, kjo lëvizje duhet të ketë
akoma rrënjë në ndjenjat e Shqiptarëvet.

Por brezat e rinj ndjekin gjithmonë zhvillimin e kohëvet, e prandaj nuk duhet menduar
kurrë se format e së kaluarës, cilatdo që të kenë qënë, do të përsëriten në t'ardhmen.
Një gjë të këtillë nuk duhet t'a mendojnë as udhëheqësit e Ballit Kombëtar.

Mendimi i Shqiptarëvet shprehet lirisht në mërgim. Por të mërguarit s'janë veçse një
përzjerje, një tollovi e atyre mbeturive që rryma e ngjarjeve hodhi përjashta. Dhe
s'mund të kenë veçse atë psikologji, atë botëkuptim që kanë pasur gjithmonë dhe që iu
dha rrugët e mërgimit, pikërisht sepse nuk qenë të zotët për të ndërtuar në vend asgjë
të përbashkët. Më të shumët e tyre - në fund të shpirtit - kanë mbetur me ndjenjat e
fisit, të bajrakut, të fesë, të tarafit, të krahinës, të katundit, të tregëtarit, të beut e
t'agajt, por i fshehin këto nën emra partish, grupesh, shoqatash, që thonë të njëjtat
fjalë, kanë të njëjtin program përliri e demokraci, digjen prej së njëjtës flakë
atdhedashurie, thërresin për bashkim, e s'mblidhen dot kurrë as pesë veta tok. Ata që
mbanin dje flamurin e fashizmit, sot duan të mbajnë atë të demokracisë, ata që iu
hiqnin udhën ushtërivet të huaja, duan tani të vihen në krye t'atdhetarëvet, dhe çdo
spiun policie, çdo lamash kafeneje, hiqet më trim, m'i mençëm nga ca që kanë mbi
shpatulla tridhjetë vjet luftë kombëtare. Natyrisht, në këto kushte s'mund të ketë kurrë
bashkim, sepse bashkimi, në politikë, do të thotë bashkërenditje e vleftavet dhe
nënshtrim i të gjithëve me një farë disipline në shërbim të një qëllimi të përbashkët.
Kurse seicili prej elementevet që përmendëm më sipër e kupton bashkimin si
një panair, ku çdo lamash të shquhet mbi të tjerët, t'i shërbejë atij që e paguan, të bëjë
si t'i teket, ose të mos bëjë asgjë por të quhet sikur bën.
Në këtë grumbull të pa-emër e të pa-formë, ka edhe asish që tregojnë vullnet të mirë
për të bërë diçka. Këta përgjithësisht janë prej atyre që patën treguar vullnet të mirë
edhe në Shqipëri. Mbasi më të shumët ishin antarë të Ballit Kombëtar, Midhat
Frashëri formoi më 1949, në Paris, Komitetin Kombëtar "Shqipëria e Lirë", të cilin
vazhdon t'a kryesojë autori i këtij studimi.

Pa çfaqur kurrëfarë mtese se ai është e vetëmja forcë ose e vetëmja dritë shqiptare -
siç duan të thonë kundërshtarët e tij - Komiteti Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë"
është munduar të mbajë dhe t'iu tregojë Shqiptarëvet rrugën e vërtetë drejt shpëtimit
t'atdheut. Është përpjekur të mbledhi rreth vehtes forcat shqiptare më të shëndosha,
më të nënshtruara njëj qëllimi kombëtar, forca me të cilat mund të ndërtohet diçka,
por nuk ka penguar kurrë asnjë tjetër organizim forcash kombëtare nëqoftëse gjinden
ndokund.

Programi i Komitetit Kombëtar-Demokrat "Shqipëria e Lirë" është për bashkimin e të


gjithë Shqiptarëvet në një shtet të pavarur, ndën një regjim lirie e drejtësie ku çdo
Shqiptar t'a ndiejë vehten zot vendi, ku mbi burrërinë e lashtë, mbi vetijat e bukura të
kombësisë shqiptare, të lartësohet kultura, shkallë-jetesa, besimi në kombin,
bashkëpunimi në paqe dhe ndjenja e barasisë me popujt më të përparuar t'Evropës.

Për t'ecur drejt këtij qëllimi, Komiteti Kombëtar-Demokrat "Shqipëria e Lirë" dhe
Balli Kombëtar që mbahet si shtylla kryesore e tij, i kanë dhënë rëndësinë më të
madhe shtytjes së kulturës kombëtare dhe forcimit të moralit kombëtar tek Shqiptarët.

Komiteti Kombëtar-Demokrat "Shqipëria e Lirë" -që e shikon kombësinë shqiptare në


tërë shtrirjen ethnike të saj dhe jo vetëm brenda kufijvet politikë të Shqipërisë- ka bërë
shumë përpjekje përjashta për të mprojtur të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës
dhe ka tërhequr vëmendjen e organizatave ndërkombëtare mbi rrezikun që krijon për
paqen, për bashkëjetesën e popujve t'Evropës, shtypja e pamëshirëshme e asaj
popullsie prej autoritetevet jugosllave. Komiteti është munduar gjithashtu të sqarojë
botën e jashtëme sesi qëndrojnë punët ndërmjet Shqipërisë dhe propagandës
mashtronjëse të Grekëvet.

Duke e ditur se n'atë grumbull Shqiptarësh të mërgimit që nuk bëjnë pjesë në të dhe
që s'janë të zotët për asnjë bashkim politik ka edhe njerëz të kulturës, Komiteti
Kombëtar-Demokrat "Shqipëria e Lirë" e shikon me kënaqje dhe e çmon çdo punim të
tyre në lëmin e letërsisë dhe të gjuhësisë. Sepse një nga të këqiat më të mëdha që po i
bëjnë komunistët kombit shqiptar është prishja e gjuhës. Me prodhimet e tyre "letrare"
të dala nga zyrat e propagandës, gjuha e bukur shqipe është katandisur në një
frazeologji pothuajse të pakuptuarshme, ku fjalitë janë mbushur jo vetëm me fjalë,
skaje e shprehje të huaja, po edhe ndërtohen pas mënyrës së sllavishtes a të gjuhëve të
tjera. Prishja e gjuhës prish edhe tiparet e natyrëshme të strukturës mendore të një
populli, sepse mendja, logjika, përfytyrimi i gjëravet, janë ngushtësisht të lidhura me
gjuhën. Çdo kulturë kombëtare e, për rrjedhim, çdo shpirt kombëtar qëndron mbi
gjuhën. I jemi mirënjohës gjithkujt që mundohet të punojë me kujdes për kërthnezjen
dhe zhvillimin e filizave të natyrshëm në trungun mijëra-vjeçar të gjuhës shqipe.

XXXI
Na u desh të japim një përmbledhje të krejt historisë së Shqipërisë për të treguar
vendin që zë Skënderbeu në të. Deshëm sidomos t'iu japim Shqiptarëvet një shikim sa
më të plotë dhe sa më të drejtë të historisë së tyre, me qëllim që të kuptojnë sesi ka
rrjedhur e kaluara, peripetitë e vështira të së cilës duhet t'iu vlejnë si një mësim për
ndërtimin e s'ardhshmes.

E shkuara është një kohë e perënduar por jo plotësisht e vdekur, sepse e sotmja është
vazhdimi i fillit të saj dhe e nesërmja do të jetë vazhdimi i të sotmes. Kështu në jetën e
popujvet, sikurse n'atë të një njeriu, hovi jetësor rrjedh si një rrymë e paprerë.
Ndërmjet së djeshmes, së sotmes e së nesërmes ka lidhje organike. Prandaj, kur t'i
kemi kuptuar siç duhet shkaqet e së djeshmes, ka më fort mundësi t'a rregullojmë më
mirë të sotmen dhe t'a pregatisim më mirë akoma të nesërmen. Ky është roli i kulturës
përgjithësisht, dhe i asaj pjese të kulturës që quhet histori, veçanërisht. Në histori nuk
duhet të ketë mëri as ndjenjë ahmarrjeje. Ngjarjet e së shkuarës duhen shikuar me
qartësi mendjeje e shpirti, për të na ndriçuar mbi gabimet e bëra, mbi rrugët e
shtrembëta, që të ndreqen në t'ardhmen.

Por ndodh shpesh herë që njerëzit e interpretojnë ose edhe e stolisin historinë sipas
ndjenjavet, paragjykimevet a interesavet të ndryshme kombëtare, shoqërore e politike.
Domethënë e përfytyrojnë të kaluarën ashtu si iu pëlqen ose iu intereson t'ishte, dhe jo
si ka qënë me të vërtet. Le të marrim për shembull historinë e antagonizmit franko-
gjerman të këtyre njëqind e ca vjetëve të fundit. Pothuajse të gjithë historianët frëngj
ia hedhin përgjegjësinë Gjermanisë, dhe e shumta e historianëvet gjermanë, Francës.
Të rrallë janë ata që i studiojnë dhe i paraqisin ato ngjarje me paanësi shkencëtari,
ashtu sikur studiohen fenomenet e fizikës, të biologjisë a të sociologjisë. Kur
historianët e këtyre dy kombevet, që përfaqësojnë dy nga kulturat më të larta
n'Evropë, nuk shkëputen dot nga një tok ndjenjash e paragjykimesh kombëtare,
kulturore e politike, ç'vleftë mund të ketë interpretimi i historisë nga grumbulli i
sharlatanëvet të ditës, që e sjellin të gjithë të kaluarën rreth interesavet të tyre si një
mjet mashtrimi e propagande? Prandaj disa dijetarë, fort të shtrënguar pas së vërtetës
objektive, nuk i njohin historisë ndonjë vleftë shkencore, dhe e hedhin në rradhën e
krijimevet letrare.
Pa qënë nevoja t'arrijmë gjer aty, mund të pohojmë pa frikë përgënjeshtrimi, që
historia, nëqoftëse edhe tek popujt më të kulturuar të botës lë fort për t'u dëshiruar
përsa i përket së vërtetës objektive, tek ne Shqiptarët katandiset shpeshëherë në profka
mburrjesh ose sharjesh e në thashatheme. Tek ne, kushdo që ka bërë nja katër klasë të
shkollës fillore dhe ka dëgjuar nja pesë a gjashtë emra "burrash të mëdhenj" pandeh se
i ka kuptuar me themel ndërlidhjet e faktorëvet historikë, dhe mundohet t'a sjellë
historinë e Shqipërisë rreth tarafit, krahinës a skotës ku bën pjesë. Kemi ndoshta edhe
asish me diploma universitetesh, të cilët mund të mbledhin data edh'emra të përveçëm
sa të duash, por që, përsa i përket kuptimit ose interpretimit të historisë, nuk janë fort
larg nga ata me katër klasë fillore. Vleftën "akademike" të këtij lloji dijetarësh e pat
klasifikuar mirë poeti persian Sadi, nja shtatëqind vjet më parë. Në mes t'atij që ka
kënduar një tok libra, por që s'ka nxjerrë kuptim prej tyre, dhe mushkës nuk ka shumë
ndryshim- shkruante Sadiu. Sepse a di mushka nëse është ngarkuar me libra apo me
dru?

Pa humbur kohë këtu me sharlatanët ose me "mushkat e ngarkuara me libra", mund t'a
themi që në fillim se Shqiptarët e gjorë, edhe kur nuk iu mungon vullneti i mirë, kanë
disa vështirësi të mëdha për t'a kuptuar siç duhet të kaluarën e tyre historike. E para,
sepse nuk kemi pasur një një histori të shkruar të Shqipërisë në kuptimin e vërtetë dhe
pak a shumë shkencor të fjalës. Ajo që ne kemi quajtur gjer më sothistori e
Shqipërisë nuk është veçse një përmbledhje njohurish fort të përgjithshme, nxjerrë
prej auktorësh të huaj, të të gjitha kohëvet, të cilët shpeshherë ishin prej kombesh
armiq me të Parët tonë. Shqiptarët, si komb, nuk kanë qënë kurrë në një shkallë
kulturore t'atillë sa t'a shkruanin ata vetë historinë e tyre. E dyta (që lidhet me të
parën), duke mos pasur një kulturë të lartë, Shqiptarët në përgjithësi nuk kanë as
kuptimin e vërtetë se ç'është historia. Të shumtët e tyre pandehin se "historia" merret
vetëm me luftat, me mbretër e ushtarakë të mëdhenj. Nuk e dinë se ajo duhet të
tregojë si në pasqyrë jetën e popujvet në të gjitha çfaqjet dhe fazat e zhvillimit. Dhe se
çpikësit, mjeshtrat, artistët, poetët, filozofët, shkrimtarët, shkencëtarët, ligj-vënësit,
organizatorët, pionerët e të gjitha drejtimevet dhe puna e masavet përgjithësisht, janë
krijonjësit e historisë së njerëzisë përkrah mbretërve, gjeneralëve dhe udhëheqësve të
mëdhenj.

Na kujtohet një rast kur ishim t'internuar në Ventotene, Itali, në kohën e pushtimit
fashist. Një atdhetar shqiptar, burrë i urtë dhe me një farë emri, tha në bisedim e sipër
se Grekët e Vjetër nuk kanë ndonjë histori të madhe, mbasi ata s'patën bërë veçse nja
tri a katër lufta kundër Persëvet! Ky mendim rreth historisë është pak a shumë i
përgjithshëm tek Shqiptarët. Prandaj, cilido prej tyre që ka dëgjuar emrin e
Aleksandrit të Madh, të Pirros, të Skënderbeut dhe tre a katër të tjerëve, kujton se e di
me rrënjë historinë e Shqipërisë.
Komunistët e interpretojnë historinë sipas pikpamjes marksiste, duke shpikur në çdo
rast e në çdo vend "lëvizje popullore" kundër "shfrytëzonjësve tiranikë", të cilat nuk
kanë vleftë vërtetësie më shumë nga legjendat e epopevet. Kurse nacionalistët kanë
mbetur te këngët patriotike të brezit të Rilindjes dhe tek ato pak njohuri të
përgjithshme që ai brez vuri shpejt e shpejt në qarkullim. Sigurisht, burrat e Rilindjes
janë për t'u çmuar si frymëzonjës të ndjenjës dhe t'idesë kombëtare, por s'duhet të
harrojmë se të shumtët e tyre ishin gjysmakë nga kultura dhe se, nga ana tjetër, iu
duhej të përhapnin shpejt një histori heroike, fort të thjeshtë, për një popull që s'dinte
se ç'ishte as se nga rridhte. Kurse sot ajo fazë është kapërcyer. Shqiptari duhet të ketë
një kuptim më të gjërë dhe më të plotë të historisë; duhet t'a shohë më qartë të
kaluarën e tij; duhet t'i peshojë ngjarjet me gjykim burri dhe jo me ndjenjë çilimiu.
Duhet t'arrijë n'atë shkallë krahësimi të vleftavet dhe n'atë lartësi të mendimit kritik ku
kanë arritur popujt më të qytetëruar të botës. Sepse vetëm atëhere mund të bëhet i zoti
që t'i hapë udhë ai vetë historisë së tij për në t'ardhmen.

Zakonin që kemi ne të quajmë histori vetëm kujtimin e luftave, të mbretërve ose të


kapedanëve të mëdhenj, e kanë pasur dhe e kanë deri diku të gjithë popujt. Sepse ky
zakon lidhet me një nga ndjenjat më të thella të njeriut, me adhurimin për
forcën. Shkrimtari frëng Jules Romains shkruante diku, që Neroni ka mbetur si një
tiran i zi në histori sepse iu pat rënë më qafë vetëm të krishterëvet dhe ca pak
patricianëve (aristokratëve) të Romës. Po sikur, në vend që t'iu ngarkohej këtyre,
t'ishte nisur me nja pesëqind mijë njerëz për të pushtuar Saharanë ose Siberinë dhe t'u
a kishte lënë të gjithëve kockat andej (siç ua la Napoleoni në fushatën e Rusisë), do të
kujtohej prej brezavet të pastajmë si një nga heronjt më të mëdhenj të botës. Kështu ne
Shqiptarët kënaqemi kur gjejmë ndonjë emër burri të madh prej racës sonë por që i ka
shërbyer ndonjë perandorie të jashtëme. Dhe s'na shkon asfare në mendje se ata burra,
vetëm për t'u bërë të mëdhenj, për të kënaqur ambiciet e tyre, kanë derdhur e
shkapërderdhur në shërbim të Romës, Bizantit, Turqisë a Greqisë pjesën më të mirë të
gjakut shqiptar, prej Renit dhe Danubit gjer në shkretirat e Azisë dhe t'Afrikës. Kurse
kombit të tyre, përveç kësaj hemorragie të tmerreshme, përveç kësaj shterrje jete
edh'energjish në shërbim të të huajvet, nuk i kanë sjellë asnjë të mirë. Mburremi me
aventurën e Pirros që u nis me njëzet mijë Epirotë për të shtruar Romën! Dhe s'na
shkon kurrë në mendje se ajo politikë nuk pati tjetër përfundim përveç shitjes si
skllevër njëqind-e-pësëdhjetë mijë Epirotëvet prej konsullit romak Pavl Emilit, një
shekull më vonë. Por neve aq na bën: sipas mendësisë sonë, a e tundi njëherë Pirrua,
pa bota le të përmbyset!

Siç thamë, adhurimi për forcën është në natyrën e njeriut. Por me organizimin e jetës
në shoqëri, me përparimin e kulturës dhe të vleftavet morale, njerëzit kërkojnë t'a
lidhin forcën me qëllimin. E adhurojnë atë kur i shërben një qëllimi pak a shumë të
përgjithshëm të një grupi, të një populli, ose të njerëzisë mbarë. Edhe e urrejnë kur
përdoret për qëllime krejt egoiste e tiranike. Këtu qëndron ndryshimi ndërmjet herojt
dhe tiranit, ndërmjet Skënderbeut dhe Ali Pashë Tepelenës. Ata që e adhurojnë forcën
vetëm si forcë, pa e lidhur me një qëllim pak a shumë të përgjithshëm, janë zakonisht
popujt e egër, primitiv. Por s'duhet të mendojmë se ndërmjet natyrës së primitivit dhe
njeriut të qytetëruar ka ndonjë ndryshim të madh. Siç thoshte filozofi frëng Bergson,
mjafton t'ia kruajmë pak njeriut të qytetëruar atë pluhur fort të hollë që i ka vënë
përsipër kultura, dhe del menjëherë në shesh natyra e primitivit. Kjo shpjegon sesi, në
disa raste tronditëse, edhe tek popujt më të qytetëruar të botës njerëzit tregohen më të
pashpirt dhe më gjakatar nga bishët.

Le të këthehemi përsëri te kuptimi që i japim ne Shqiptarët historisë. Na ka mbetur


zakon që nga brezi i Rilindjes të jetojmë me një farë kompleksi heroik të së kaluarës
sonë kur jemi disi në qejf, por shpejt këthehemi në ndjenjën e kundërt dhe themi,
"s'bëhet me Shqiptarët", kur na has sharra në gozhdë. Kompleksi heroik, po të
shikohet në dritë të psikologjisë, s'është tjetër veçse një ndjenjë inferioriteti, një lloj
mekanizmi psikik i nevojshëm për të na fshehur dhëmbjen e gjendjes sonë më t'ulët
kundrejt popujve të tjerë. Mbasi s'kemi se ç'të tregojmë për në kohët e sotme, rrimë
duke përsëritur si një daulle e plasur: "të Parët tonë kanë tundur botën, kanë vajtur
deri atje e deri këtje".

- Mirë, mirë (mund të na thotë ndonjë i huaj), por na tregoni pak se përse kini mbetur
populli m'i rreckosur i Evropës, dhe rrini duke cfilitur kokën e njëri-tjetrit pa u nginjur
dot as me brumë misri, i cili sot, në botën e Perëndimit, s'iu mungon as derravet. Aq
më keq për ju që rridhni nga një origjinë kaq'e shkëlqyer!-

Pikërisht këtë shpjegim ka dashur të japi auktori i këtij studimi, i cili, bashkë me
tiparet e shëndosha të kombit shqiptar, ka treguar edhe anët e dobëta, domethënë
shkaqet (historike a çfarëdo qofshin) e përçarjevet e të ndasivet, ngaha i kanë ardhur
të gjitha mjerimet. Sepse historia, sikurse e tërë kultura përgjithësisht, duhet të ketë
një rol edukonjës: t'iu dëftejë popujvet cilësitë e mira që duhen ruajtur dhe anët e
shtrembëta që duhen ndrequr. I tërë përparimi i njerëzisë s'është veçse një rrugë e
kryq-e-tërthortë gabimesh dhe ndreqjesh. Kombi shqiptar nuk mund të bëjë përjashtim
nga ky ligj. Por që të jetë në gjendje për të bërë ndreqje, duhet më parë të shohë se ku
qëndrojnë gabimet.

Prandaj në vend që të rrimë duke u mahnitur se sa trima jemi ne, le të fillojmë të


themi edhe se sa punëtorë të mirë jemi, se sa t'afruar me njëri-tjetrin, se sa të zotët për
t'u bashkuar në shërbim t'atdheut dhe sesi dimë t'a përdorim trimërinë atje ku
duhet. Besa, nderi e burrnija, tri vleftat më të larta të Shqiptarit, janë vlefta kur
mbahen me të vërtet, dhe jo kur bëhen si një përsëritje banale në gojën e atyre që s'i
kanë. Një farë bombastike kombëtare që përdorin agjentët e të gjitha ngjyravet për të
gënjyer njerëzit e thjeshtë, na duket krejt e pangjyrë. Dashurinë edhe nderimin për
kombin, për atdheun, e tregojnë puna, lufta, disiplina, theroria, dhe jo fjalët e trasha.
S'është nevoja të bërtasim botërisht se ne jemi mrekullia e tetë e botës, kur midis nesh
rrimë duke përsëritur që "s'bëhet me Shqiptarë". Megjithë të metat që mund të kenë (e
cili popull është pa të meta?), Shqiptarët janë një racë energjike, e zgjuar dhe plotë
cilësira. Prandaj mund të bëhet fare mirë me ta, po të punojnë mirë ata që duan
t'udhëheqin. Dhe detyra e udhëheqësvet, qoftë n'anën kulturore qoftë n'anën politike,
duhet të jetë detyrë edukonjësi dhe jo mashtrim demagogu as cinizëm përbuzësi. Një
Dante, një Goethe, një Montesquieu nuk kanë shkruar lëvdata për kombet e tyre, as
përbuzje mistreci, por lëvdohen me ta Italia, Gjermania, Franca.

Shqiptarët e gjorë, ndonëse të paorganizuar, kanë derdhur shumë gjak për të mprojtur
lirinë e tyre, në të gjitha kohët. Roma nuk i shtroi dot pa luftë stërgjyshët e
Shqiptarëvet, siç bëri me Greqinë. As sulltanët e Turqisë, siç bënë me disa popuj të
tjerë. Pra le të mundohemi me punë ndërtonjëse, me urtësinë dhe thjeshtësinë e të
gjithëve, të bëjmë lavdinë e Shqipërisë.

Ata bashkatdhetarë që e kanë kënduar këtë studim prej fillimit në mbarim, mund t'a
kuptojnë më mirë tani se cili është vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë.
Disa prej tyre mund të kenë menduar se Skënderbeu mbetej i famshëm mbasi ishte
treguar shumë trim, kishte thyer shumë ushtëri armike, kishte vrarë shumë Turq.

Kurse rëndësia e tij për historinë e Shqipërisë qëndron gjetkë. Duke lënë mënjanë
mbretëritë e vjetra t'Ilirisë, t'Epirit e të Maqedonisë, të cilat, në Kohën e Mesme, nuk
mund të merrëshin si histori e Shqipërisë ndonëse kombi arbëresh rridhte prej atyre
popujve, Shqiptarët gjer në shekullin e Skënderbeut nuk kishin dhënë dot provën e
mvehtësisë kombëtare, si një shtet i pavarur që mund të mbahej me forcën e tij dhe
n'emër të tij. Edhe sepse deri atëhere kishin gëzuar disa lloje autonomish krahinore,
kishin pasur disa princa të fuqishëm që patën thyer ushtëritë e shtetevet fqinje dhe
qenë munduar të bënin bashkimin e Shqipërisë, Shqiptarët ishin shikuar si një popull i
varur prej Bizantit, prej mbretërivet bullgare e serbe, a prej Mbretërisë së Napolit e
cila pat krijuar përkohësisht edhe një "mbretëri të Shqipërisë" nën kurorën e
Angjevinëvet. I tërë gjaku dhe energjia që Shqiptarët kishin derdhur gjatë shekujvet si
edhe burrat e mëdhenj të racës së tyre shkonin me historinë e Romës dhe të Bizantit,
sikurse më vonë me atë të Turqisë ose të Greqisë, dhe nuk përbënin një histori
shqiptare. Sikur punët të kishin vazhduar ashtu gjer në ditët tona, nuk do të mbahej
mend kurrë që Shqiptarët të kishin lozur një rol, si komb më vehte, në historinë e
Evropës. Mandej duke mos pasur edhe një qendër kulture, një letërsi në gjuhën e tyre,
do të shikohëshin ndoshta prej botës së jashtëme si një lëndë njerëzore që iu ka
shërbyer perandorive a shteteve fqinje, por që s'ka treguar kurrfarë zotësie e cilësie të
veçantë për të formuar një kombësi.
Kurse ndën udhëheqjen e Skënderbeut Shqiptarët u dëftyen përpara botës si një komb
më vehte që lufton me forcën e tij për t'u mprojtur kundër vërshimit të një perandorie
aziatike, e cila përmbysi Bizantin dhe i shtiri drithmat tërë Evropës. Këtë radhë nuk
është Roma ose Bizanti, Greqia ose Serbia që iu qëndron Turqvet me krahët e
Shqiptarëvet, por janë Shqiptarët vetë që e bëjnë qëndresën n'emër të tyre, n'emër të
Shqipërisë. Dhe e bëjnë me një shpirt t'atillë, sa që kombi shqiptar njihet në botë i
rrethuar me lavdi heroike, Shqipëria shikohet si mburoja e Evropës, si i vetëmi shtet i
Ballkanit që s'mund të thyhej prej Turqvet dhe Skënderbeu u mbiquajt prej
papëvet Mprojtësi i Krishterimit. Emri i tij, bashkë me atë të kombit shqiptar, hyri në
historinë e përgjithshme dhe në letërsinë e Evropës.

Kështu, qëkur Shqipëria quhet Shqipëri, Skënderbeu është burri që e tregoi atë si
komb e shtet më vehte, nga më të fortët n'Evropën e asaj kohe, gjatë një lufte të
paprerë prej njëzetepesë vjetësh. Dhe formoi nyjen e kreut ku mund të lidhej filli i
historisë së saj për kohët e pastajme. Populli shqiptar nuk ishte më një lëndë
njerëzore në shërbim të të tjerëvet, por një komb me histori, i njohur e i dalluar mirë.

Në kohët e reja duke mos pasur Shqiptarët as letërsi, as histori të shkruar, as liturgji
fetare në gjuhën e tyre, figura e Skënderbeut iu vlejti si monumenti historik m'i lashtë,
rreth të cilës u lidh ideja e njësisë kombëtare dhe e mvehtësisë së Shqipërisë. Brezi i
Rilindjes e nxori Gjergj Kastriotin si Atin e Kombit, shembullin e të cilit duhej t'a
ndiqte gjithë nipëria. Për këto arësye, Skënderbeu mbetet si gur themeli në historinë e
Shqipërisë.

A do t'a mbajë me nder nipëria kujtimin e Gjergj Kastriotit? Këtë pyetje duhet t'ia bëjë
vetvehtes çdo Shqiptar i ndërgjegjshëm. Me Shqipëri e Kosovë mund të bëhen
afërsisht rreth gjashtë milionë Shqiptarësh. Nëqoftëse nuk kanë vënë mend nga e
kaluara dhe do të vazhdojnë si kanë vazhduar, sa njerëz janë aq koka, s'mund të pritet
gjë e madhe prej tyre. Por ne shpresojmë se do të dinë t'organizohen, të punojnë e të
luftojnë së bashku për t'arritur në radhën e kombevet me të vërtet të lirë. Nuk do t'a
mbyllin me turp historinë e tyre katërmijë-vjeçare. Shpresojmë se burrëria e lashtë,
sado që të ketë qënë shtypur, nuk është shuar tek ata. Mbi rrënjët e asaj burrërie, prej
rrembavet t'atij gjaku, do të lulëzojnë vleftat e reja në të tjera fusha krijimi, për t'i
dhënë kombit shqiptar një vend nderi në radhën e popujvet më të qytetëruar t'Evropës.
Siç patën qënë dalluar stërgjyshët e tyre me aq shkëlqim n'anën e trimërisë, Shqiptarët
do të shquhen ndoshta me të njëjtin shkëlqim në fushën e kulturës e të përparimit, dhe
do të nxjerrin Skënderbenj të tjerë në krijimet e larta të mëndjes e të shpirtit. Po edhe
atëhere, Gjergj Kastrioti, burri që përfaqson virtytet heroike më të larta të racës sonë,
do të mbetet shembull i ndritur nderi, lavdie e krenarie kombëtare.

You might also like