You are on page 1of 3

Viti 2011 u karakterizua me lëvizje dhe debate për të drejtat

e muslimanëve në Kosovë
Osman D. GASHI

Muaji qershor i 2011-tës pasoi me kritika dhe debate të ashpra për shkak të disa besimtarëve
muslimanë që protestuan për të kërkuar një xhami të madhe në Prishtinë për të pasur një hapësirë
ku do të kryenin faljen, e cila është e drejtë themelore e individit në çdo shoqëri sekulare, laike
ose çfarëdo qoftë ajo. Kjo kërkesë është një e drejtë e tyre legjitime. Kjo kërkesë që sa vite është
bërë edhe nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës në mënyrë që besimtarët të mos falen
në shi e borë kur është ftohtë dhe në diellin përcëllues kur është nxehtë.
Në këtë debat u inkuadruan shumë komentues dhe profesionistë që e parashihnin këtë situatë të
krijuar nga këndvështrimi i tyre. Zaten kur diskutohet dhe debatohet për tema fetare e sidomos në
lidhje me fenë islame ashpërsohet gjuha dhe kritikat janë vend e pavend e për fat të keq
inkuadrohen edhe njerëz që nuk e njohin sa duhet Islamin dhe përziejnë programin hyjnor me
veprimet e njerëzve që e quajnë veten musliman. Fillimisht duhet të bëhet ky dallim: nuk janë të
njëjtë Islami -- program i zbritur nga Zoti i plotfuqishëm për t’i udhëzuar njerëzit në rrugën e
drejtë -- dhe muslimanët -- pasues ose praktikues të këtij programi hyjnor -- që asnjëherë nuk e
zbatojnë 100% këtë program, ngase është e pamundur.
Feja, nga aspekti terminologjik, definohet në shumë mënyra. Por, nga aspekti semantik, ajo ka të
bëjë me shpirtin ngase është bindje dhe nënshtrim i plotë ndaj diçkaje që besohet. Pra, feja ka të
bëjë me anën emocionale kryesisht, por pa i përjashtuar edhe ato praktike. Emocionet, duke qenë
prezent në manifestimin e fesë, bëjnë që kur vjen fjala te kritikat, debatet ose mendimet ndryshe,
reagimet të jenë të pashmangshme, verbale ose jo verbale qofshin ato.

Këshilltarë që e shohin të bardhën si të zezë

Debatet polarizuese prezente në media të shtypura dhe elektronike në të shumtën e rasteve ishin
të ashpra dhe me një gjuhë që nxirrte në pah mosnjohurinë e komentuesve, sidomos të atyre që
sulmonin dhe etiketonin Islamin, përfshirë këtu edhe grupin protestues që i vishnin emra si
radikalistë, vehabistë e çfarëdo që u vinte në mendje. Kjo panjohuri vinte për dy arsye: ose këta
komentues e debatues -- përfshirë këtu edhe një këshilltar të kryeministrit të Kosovës -- nuk e
njohin sa duhet Islamin, ose e përziejnë Islamin me veprimet e njerëzve. Islami si program
hyjnor, si fe, është i njëjtë si në lindje ashtu edhe në perëndim, si në hemisferën veriore po ashtu
edhe në atë jugore. Veprimet e njerëzve (muslimanëve) janë ato që dallojnë nga vendi në vend,
nga kultura në kulturë. Kur kihet parasysh kjo gjë, themi se debatuesit dhe komentuesit që
sulmojnë fenë islame e kanë gabim, ngase nuk ka Islam modern, tradicionalist, liberal, radikal, të
lindjes, të perëndimit, të shkretëtirës... Ka vetëm Islam (fe islame) dhe muslimanë që në bazë të
interpretimit dhe kuptimit të Islamit veprojnë dhe praktikojnë Islamin në jetën e tyre, kush më
shumë e kush më pak.
Në një debat në televizionin publik të Kosovës, një prej këshilltarëve të kryeministrit, njëherësh
edhe asistent në Universitetin publik të Prishtinës, deklaroi se Islami është fe që i përket të
kaluarës dhe nuk ka vend për të në kohën bashkëkohore dhe Islami nuk duhet të jetë prenzent në
sferën publike, kush do që të praktikojë fenë le ta bëjë në shtëpinë e tij. Vaj halli për shoqërinë
tonë po pati kryeministri i vendit tërë këshilltarët e këtillë, ngase do të na humbiste udha në
oborr! Pse po e them këtë? Ngase këshilltarët e këtillë do ta shihnin të bardhën si të zezë dhe e
kundërta. Sot, në kohën në të cilën po jetojmë, shumica e shkencëtarëve e marrin Kuranin --
librin e zbritur nga Zoti i plotfuqishëm, i cili është baza kryesore e fesë islame -- si kushtetutën e
tyre për t’i udhëzuar drejt shtigjeve të reja zbuluese dhe arritjeve shkencore që na e përmirësojnë
jetën tonë në përgjithësi. Si mundet që feja islame t’i përkasë të kaluarës nëse shkencëtarët
vazhdimisht merren me të??? Ky ishte vetëm një segment argumentues. Aspekti tjetër është te
manifestimi publik i fesë, ose çfarëdo bindje tjetër që kanë njerëzit. Është e drejtë legjitime që
njerëzit ta mbajnë në vete bindjen e tyren dhe ta shprehin publikisht pa e cenuar ose shkelur
bindjen e tjetrit. Manifestimi i fesë, i të qenit musliman, mund të bëhet publikisht dhe nuk ka
kush që mund ta mohojë, ngase është e garantuar me të gjitha të drejtat që ekzistojnë. Sa
qesharake do të ishte sikur t’i themi dikujt që nëse je i bindur që je shqiptar mos e shfaq këtë
bindje publikisht, por mbaje në vete. Pra, si mundet një “këshilltar” dhe “asistent i universitetit
publik” të këshillojë dikë që bindjen e tij mos ta bëjë publike? No comment!

Mediat të raportojnë me përgjegjësi

Këto debate e reagime të ashpra dhe emocionale që bëjnë komentuesit e ndryshëm kundrejt
Islamit sinjalizojnë edhe degradimin moral dhe paditurinë që e ka pllakosur shoqërinë tonë.
Është e pamoralshme që të debatosh për gjëra për të cilat nuk ke njohuri ose kur e përzien shapin
me sheqerin. Pastaj, është e çuditshme kur mediat me informacionin dhe transmetimet e tyre
hedhin benzinë në zjarr, duke iu dhënë hapësirë përmbajtjeve që reflektojnë negativitet dhe që
dërgojnë ujë në mulli të huaj. Rasti më i çuditshëm ishte kur mediat raportuan kinse shtypi
amerikan ka shkruar se protestat për xhami që janë mbajtur në Prishtinë e paskan hedhur poshtë
përkushtimin amerikan në Kosovë. Në raport nuk theksohet e as përmendet se cilat gazeta,
revista ose çfarëdo media qofshin ato, paskan shkruar një gjë të tillë. Një sjellje e tillë e
papërgjegjshme e mediave në Kosovë ndikon që ato ta humbasin besueshmërinë e tyre karshi
recipientëve të tyre, ngase raportojnë përmbajtje të paverifikuar dhe përçarëse, ku përmes
raportimeve të tyre e hutojnë opinionin dhe mundohen të bëjnë presion të panevojshëm.

Roli i Evropës dhe tendenca e elitës kosovare për evropianizim

Arsye tjetër që shumica e elitës udhëheqëse në Kosovë ndjek një politikë jo të favorshme
kundrejt muslimanëve dhe Islamit është për shkak se Evropa ndjek një politikë dhe një qëndrim
të përmbajtur kundrejt shqiptarëve shkak të përkatësisë fetare si shumicë myslimane. Evropa, si
djep i civilizimit dhe kulturës së krishterë, ka pasur frikë gjithmonë nga jashtë edhe pse
udhëheqësit e Evropës kurrë nuk e deklarojnë ose nuk e pranojnë haptas këtë. Në këtë mes hyn
edhe Islami që përbën shumicën e boshnjakëve dhe shqiptarëve. Situata në të cilën është lënë
Bosnja e Hercegovina e ndarë në tri pjesë, e në anën tjetër Kosova me problemet e mëtutjeshme
që ia bën Serbia, nuk duan koment shumë. Islamofobia që ka Evropa është e panevojshme,
sidomos në Ballkan se mos ndërtohet një korridor Turqi – Trojet Shqiptare – Bosnje. Shqiptarët
dhe boshnjakët asnjëherë nuk kanë bërë lufta në emër të fesë islame dhe elitat intelektuale të
këtyre dy kombeve nuk kanë bërë thirrje kurrë për një gjë të tillë. Përkundrazi, kanë thirrur për
tolerancë dhe njohje mes njerëzve e kombeve, ashtu siç edhe e parashohin dispozitat e Islamit se
të gjithë njerëzit janë vëllezër mes vete dhe janë të ndarë në kombe e fise në mënyrë që të njihen
mes vete.
Pastaj, Islami po lulëzon nëpër vendet evropiane dhe ata qytetarë që pranojnë Islamin nëpër
Evropë janë të integruar në shoqërinë evropiane dhe deri më tani nuk dëshmohet se kanë
shkaktuar dëm ose dhunë. Për fat të keq, është vetëm frika e panevojshme dhe paragjykimi që i
mundon njerëzit e rëndomtë, por edhe udhëheqësit për një ‘pushtim islam’ të Evropës. Edhe këtu
te ne në Kosovë, disa njerëz që janë të përkatësisë islame mundohen të zhvishen nga kjo
përkatësi dhe ju vjen keq që janë të tillë, ngase e shohin si pengesë që ‘Evropa nuk po na do’ pasi
jemi muslimanë. Bombardimet e fundit me të cilat Bashkësia Ndërkombëtare sulmoi Serbinë
dëshmojnë të kundërtën.

Këtë propagandë antiislame e shfrytëzon së tepërmi edhe Serbia me akademinë e saj të


shkencave, e cila deklaron se është muri mbrojtës i krishterimit nga kanosjet e jashtme. Serbia,
në emër të ekstremizmit fetar, ka vrarë dhe ka prerë njerëz të pafajshëm dhe kur bota i pa
mizoritë e saj ndërhyri nga ajri dhe e bombardoi. Politikanët serbë dilnin e deklaronin “A e dini
kënd po bombardoni? Të krishterët.” Këtë element Serbia e ka përdorur gjithmonë për të
arsyetuar krimet e saj. Besoj që politikëbërësit evropianë nuk duhet ta harrojnë këtë gjë nëse
duan që ta stabilizojnë seriozisht Ballkanin.

Rezyme

Kushdo që debaton për fenë duhet ta ketë të qartë një gjë: Feja dhe pasuesit (praktikuesit) e saj
janë dy gjëra të ndryshme. Nuk bën të përzihen këtë dy gjëra ngase bëhet puna mishmash.
Zgjedhja e njeriut për të praktikuar fenë ose jo është liri që e gëzon gjithsecili, por nuk do të
thotë që kjo gjë të imponohet. Debatet le të zhvillohen me një kulturë të atillë që të flasim vetëm
për atë që kemi njohuri e dije, ngase shkelim parimet morale dhe i japim mundësi tjetrit të na
thotë se “nuk po dike gjë, qenke i paditur”. Të mundohemi që të kontribuojmë në të mirën e
shoqërisë dhe ta dërgojmë përpara atë, ngase ky edhe është qëllimi i njeriut në tokë.

You might also like