You are on page 1of 2

Qasja filozofike e Elvis Hoxhës në dëm të shtetit të Kosovës

Osman D. GASHI

E kanë pas një humor Treshi - Përsheshi, ku thoshin se me ‘lexu shumë bohesh budallë’.
Kjo përshtypje mu krijua për filozofin nga Shqipëria Elvis Hoxha, me gjasë, ideologun e VV-së,
kur vetëtimthi e lexova serinë e shkrimeve (debatin) mes tij e Blerim Latifit, filozofin nga
Kosova, njëherësh këshilltar i Kadri Veselit.
Përjashto pingpongun filozofik që ata e gjuanin njëri-tjetrin, më bëri përshtypje aspekti i shtetit
të Kosovës dhe qasja e Hoxhës në lidhje me këtë gjë.
Kosova, nga 2008-ta ka nisur rrugëtimin e shtet-ndërtimit dhe shtet-bërjes. Sa për përkujtim,
edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka marrë vendim, duke e quajtur të drejtë shpalljen e
njëanshme të Pavarësisë së Kosovës. Kosovën e kanë njohur 114 shtete. Këto procese nuk
zhbëhen ose nuk kthehen pas.
Të pretendosh diçka tjetër, jashtë kësaj, që Kosova s'është shtet mirëfilli, pasi as BE-ja e OKB-ja
s'po e njohin këtë shtet ahtisarian sui generis, dhe si i tillë, është krijuar situata (parakushti,
arsyetimi) që Kosova t'i bashkohet Shqipërisë, i bie si ajo fjala: "PO E MBUSH SHPORTËN
PAS TË VJELAVE". Tingëllon utopike, ama gjatë luftës së Kosovës, ’98-’99 të shek. 20, ne
shqiptarët (Kosovë-Shqipëri) e kemi pasur rastin me vetëvendos se çfarë do të bëjmë, duke e
mundur Serbinë në luftë. E pasi s’e kemi bërë dot një gjë të tillë, Bashkësia Ndërkombëtare na ka
ndihmuar të çlirohemi përfundimisht, dhe ajo na ka sugjeruar si të shkohet më tutje, si të
rrugëtojë Kosova.
Nejse, nuk u mjaftova me debatin e shkruar mes këtyre dy filozofëve, Elvis Hoxhën e shikova
edhe në një emision që kishte qenë në TV me rastin e nëntë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës,
(https://www.facebook.com/mbeshtetesit.e.albin.kurtit/videos/2048546948705338/), dhe mu
forcua bindja për atë që e thash në fillim kur e përmenda humorin e Treshi-Përsheshit. Nuk dua
ta denigroj apo të merrem me personin Hoxha, duke e quajtur budalla. Larg asaj! Edukata dhe
formimi im s'ma lejon një etiketim të tillë poshtërues për asnjë individ, as edhe për Elvisin.
Shembullin e humorit e mora për efekt artistik ilustrimi.
Nga ky emision shihet se Hoxha nuk është në terezi për atë se çfarë flet e çfarë kërkon? Leximi i
literaturës dhe qëndrimi në qarqet elitare të Francës ia ka bërë të mendojë se është i madh dhe
mundohet t’ia imponojë Europës dijen dhe qëndrimet e tij dhe të shqiptarëve dhe të drejtën që të
jenë bashkë. Nga ana jonë kjo është në rregull, por çfarë faktori është Hoxha, ose shqiptarët në
tërësi, që t'ia imponojnë Europës caktimin e agjendës. Faktor ekonomik, demografik? Çfarë
interesi përbëjmë ne për Europën?
Ato që i ëndërron Hoxha janë përralla. Kush jemi ne me ia caktua ose imponuar Europës se çfarë
agjende duhet të ndjek ajo në raport me shqiptarët? S'e njeh historia ndonjë ngjarje a periudhë,
ndonjëherë që shqiptarët kanë mundur që Fuqive të Mëdha, tani BE-së, t'ia caktojnë agjendën
ose ta mësojnë se si të veprojë ajo me politikën e saj. Ne s’po mundemi me e bind Europën me
na njohtë 5 shtete anëtare të saj, e do të mundim ta bindim që ajo të pajtohet që të bashkohen
Kosova e Shqipëria.
Do thoshit se paskam kompleks inferioriteti apo qenkam konformist, por në esencë është qasje
pragmatike dhe real-politike, ose siç thotë ajo fjala e popullit SI ËSHTË VENDI, BËHET
KUVENDI.
Dua ta risqaroj se s'po merrem me Hoxhën si individ, se mendjekëqijtë ose militantët e
ideologjizuar do thoshin, kush është ky farë mistreci që merret me një filozof që ka studiuar në
Francë, po tentuaka ky far buburreci me u bo i madh duke u kapur për kokrra (përdora
eufemizëm) të Hoxhës, andaj po ua mbyll gojën, duke iu thënë se s'po merrem me të, por me
fenomenin. Cili është ai? Do pyeteshit?!
Kur njeriu lexon shumë, madje edhe ide e teori të rrezikshme, shumë herë të njëanshme, për t’i
ushqyer idetë e qëndrimet e veta, gjë që s'e vë në dyshim që Hoxha e ka bërë një gjë të tillë, ky
lexim ndikon pavetëdijshëm që ta trajtosh masën si kavje laboratori për eksperiment, apo siç i
quan edhe vet Hoxha masën (popullin), "lëndë". Ç ‘është lënda? Në këtë rast, asgjë pos si masë
për përpunim, madje, ‘mendor’ siç e përmend në emisionin televiziv.
Populli i Kosovës (me shumicë dërmuese shqiptare) nuk është lëndë për përpunim. Mjaft
eksperimente janë bërë me popullin e Kosovës. Tendenca e Hoxhës, dhe përmes tij edhe e VV-
së, që të eksperimentojnë me shtetësinë e Kosovës duke e kthyer në pikën zero, ose ta zhbëjnë
shtetin e Kosovës, duke e bashkuar me Shqipërinë më pas, është ide shumë e rrezikshme dhe hap
shumë probleme. Apo duke e marrë vulën e përfaqësuesve të popullit, duke u fshehur nën
etiketimin e tërë të tjerëve (qofshin individë apo subjekte politike) si të korruptuar me një
absolutizëm ekstrem, Hoxha dhe VV-ja po tentojnë të vijnë në pushtet që të eksperimentojnë me
fatin e Kosovës dhe popullit të saj.
Momentalisht, më duket e kamufluar, dhe masa (edhe ajo që e ka votuar VV-në) nuk e kanë
kuptuar ende këtë gjë, por kjo qasje, kjo ide, në raport me shtetësinë e Kosovës, është në të
njëjtën vijë me qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës, çon ujë në të njëjtin mulli, atë të dështimit të
shtetit të Kosovës, atë të faktit se shqiptarët s’janë në gjendje të ndërtojnë shtet. Nuk e di a janë
të qëllimshme apo bëhen pavetëdijshëm, por s'po e shoh si qëndrim dashamirës për shtetin tonë.
Qofsha i gabuar në këtë pasqyrim e vlerësim.
Pastaj, kjo puna e bashkimit klasik të Kosovës me Shqipërinë, është e mirë për ta mbajtur gjallë
Romantizmin, dhe mund të ushqejë kreativitet e prodhime të ndryshme kulturore, sepse për jetën
e përditshme ka fakte me bollëk se sa jemi të gatshëm për bashkim. Kujtojeni patatet e Kosovës
për tentim-kalim matanë Vërmicës. Nuk ndodh tek shqiptarët, sidomos tek elitat politike e
intelektuale, që ta pranojnë bashkimin. Pallavra janë ato. Nga dy presidentë të bëhet një, nga dy
kryeministra, të bëhet një, nga dy kabinete ministrash të bëhet një, nga dy parlamente të bëhet
një, etj. etj., nuk besoj që do të ndodhte. Më parë do të pajtoheshin SHBA-ja me Korenë e Veriut
se sa të bashkoheshin Kosova e Shqipëria. 
Po e riktheksoj, ajo çfarë ne lexojmë gjatë studimeve e gjatë jetës, jo gjithmonë është e mirë, e
dobishme për veten dhe për shoqërinë. Leximi i tepërt i ideve dhe teorive të rrezikshme të
budallallosë dhe tendenca për t'i aplikuar ato në shoqëri përmes eksperimentimeve të ndryshme,
siç po tentojnë t’i bëjnë Hoxha dhe VV-ja, mund të dërgojë në tragjedi të llojit stalinian,
hitlerian, maoitian, etj., madje edhe në përmasa lokale në kontekstin kosovar, të cilat mund të
marrin edhe jetë njerëzish.

P.S. Aman, mos u mundoni ta devijoni temën, mos shkruani, se gjithë këta të tjerët, të partive
tjera, janë të korruptuar, se edhe unë jetoj në nënqiellin e Kosovës që nja 36 vjet edhe di sadopak
çfarë ka ndodhur, ndoshta jo shumë, por pak di.

You might also like