You are on page 1of 12

Strategjia e zhvillimit sektorial të kulturës

1. Trashëgimia kulturore

Trashëgimia kulturore është pasuri e brezave, detyrimi ynë madhor kundrejt së


shkuarës dhe së ardhmes, vijimësia materiale dhe shpirtërore e një kombi. Si e tillë,
trashëgimia kulturore është një sfidë e pareshtur përballë kujdesit shtetëror dhe
kombëtar, për të ruajtur gjurmët e gjeniut krijues mbarëshekullor dhe për ta përcjellë
atë drejt ardhmërisë. Trashëgimia kulturore shqiptare është një trashëgimi e pasur me
vlera. Ajo përfshin vlera arkeologjike, urbanistike, arkitekturore, historike dhe
inxhinierike. Gjithashtu, përfshin edhe trashëgiminë e luajtshme, objekte arkeologjike,
monumentale, libra dhe dokumente, numizmatikë, almise dhe armë zjarri, prodhime
artistike dhe sende të rralla.

Trashëgimia shpirtërore përfshin gjuhën, folklorin oral dhe muzikor të të gjitha


zhanreve, traditat dhe besimet e të gjitha llojeve, dhe zejet.

Trashëgimia monumentale

Trashëgimia shqiptare pasqyron historinë mijëravjeçare të popullit shqiptar. Ajo


shprehet me rrënojat arkeologjike dhe ndërtesat e banuara. Ato datojnë nga
prehistoria deri në shekullin e fundit dhe numërohen në mbi 2400 objekte në një
gamë të gjerë, rreth 200 monumente kulti, 600 monumente antike e mesjetare (kala,
rrënoja, site, ura, ujësjellës) dhe pjesa tjetër ndërtime popullore që ndahen në dy
kategori. Lista e monumenteve është e hapur për përmirësime të vazhdueshme sipas
parametrave të përcaktuar me ligj. Shumica e monumenteve gjenden në qytetet
Gjirokastër, Berat, Korçë, Shkodër. Sitet monumentale të Butrintit, Apollonisë,
Durrësit, Voskopojës, Gjirokastrës, Beratit, etj., janë të njohura jo vetëm
kombëtarisht, por edhe ndërkombëtarisht. Institucionet shtetërore të ngarkuara me
ligj për kujdesin ndaj trashëgimisë monumentale janë Instituti i Arkeologjisë, Instituti
i Monumenteve të Kulturës, 8 Drejtoritë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, si dhe
Qendra kombëtare për inventarizimin e pasurive kulturore. Numri i punonjësve të
sistemit të monumenteve është ____ dhe numri i punonjësve të arkeologjisë është ___.
Përveç ndërtimeve dhe ansambleve ndërtimore, specialistët e monumenteve tregojnë
kujdes edhe për punimet e drurit, gurit, metaleve, qeramikës, afresket, ikonostaset,
një tjetër pasuri e madhe e kombit shqiptar.

Monumentet vuajnë nga efektet shkatërruese të dukurive natyrore, por


dhe nga ndërhyrjet shkatërruese të njeriut. Nga viti 1990 deri në vitin 2000
nuk ka pasur mjaft financime shtetërore për monumentet. Gjatë kësaj
periudhe një sërë monumentesh janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.
Megjithatë, kjo fazë nuk ka ardhur vetëm për shkak të mungesës së
financimeve. Kriza u shkaktua edhe për shkak të uljes së autoritetit
institucional të IMK, duke sjellë humbjen e kontrollit mbi territorin nga ana e
shtetit; për shkak të pakësimit të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë;
për shkak të mangësive në veprimtarinë shkencore të institucionit; për shkak
të largimit të specialistëve; si dhe për mungesë të një reforme institucionale. E
gjitha kjo krizë shkaktoi një emergjencë të vërtetë lidhur me monumentet të
cilat rrezikoheshin edhe për shkak të mungesës së vizionit lidhur me
monumentet
Nga ana tjetër është rritur së tepërmi bashkëpunimi me donatorët vendas e të
huaj, si dhe me pushtetin vendor. Vetëm për vitin 2004 llogaritet një fond rreth
90 milion lekë, ku ka pasur edhe dhurime private. Kjo frymë vazhdoi edhe në
vitet në vijim ku bashkëpunimi sidomos me organizma të huaj prestigjiozë mori
përmasa të qëndrueshme. Përmendim këtu Fondacionin Butrinti, Fondacionin
Packard, Patrimoine sans Frontieres, Rajonet italiane me projektet INTERREG,
etj. Ky lloj qëndrimi ndaj monumenteve e shtoi financimin direkt, duke rritur jo
vetëm sasinë, por duke siguruar edhe një ndërhyrje më të specializuar, të
siguruar nga organizma prestigjiozë. Listimi i Butrinitit dhe i Gjirokastrës në
Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s, listimi i Voskopojës në Listën e
Pasurive Botërore të Rrezikuara, përgatitja e Dosjes së Beratit për t’u renditur
në Listën e Pasurive Botërore, tregojnë jo vetëm punën e madhe të kryer nga
specialistët e monumenteve, por edhe vlerat universale të këtyre siteve.
Krijimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve i hapi rrugë një faze të re në miratimin e
projekteve shkencore, të cilat pasi diskutohen në Këshillin Shkencor të IMK, marrin
miratimin nga ky organ, duke sjellë një fazë të re përgjegjshmërie kundrejt
monumenteve.

Në vitin 2006 përveç buxhetit të zakonshëm të përcaktuar për monumentet,


për shkak të shtesave në fonde lidhur me qytetin e Gjirokastrës, Shkodrës dhe
monumentet e kultit, fondi i përgjithshëm shtetëror i monumenteve arriti
shifrën 250 milion lekë.

Objektivat dhe reformat për periudhën 2007-2013

Hapi i parë strategjik lidhur me monumentet për periudhën në vijim është përcaktimi i
një filozofie të re që gërshteton natyrshëm përvojën tashmë të pasur shqiptare me
arritjet më të larta dhe standartet më të njohura ndërkombëtarisht. Monumentet
tanimë nuk do të shihen si një send amorf në vetvete, por si pjesë integrale e turizmit
kulturor dhe zhvillimeve ekonomike të vendit. Disa nga konceptet themelore të punës
me monumentet janë përcaktuar:

- Ruajtja e identitetit kombëtar.


- Ruajtja e trashëgimisë si pjesë e gjallë e shoqërisë.
- Katalogimi dixhital, mbrojtja dhe ruajtja e dëshmive të së kaluarës.
- Kujdesi për pejsazhin dhe rrethinat e monumenteve.
- Programe konservimi afatgjata dhe zhvillim i qëndrueshëm.
- Ruajtja e transparencës dhe propagandimi i vlerave.
- Decentralizimi i kompetencave.
- Lehtësi fiskale për të ndihmuar pronarët të ruajnë trashëgiminë dhe
koleksionet.
- Kuadër ligjor që u lejon fondacioneve të kujdesen për ndërtesa, prona dhe
monumente në vijimësi.
- Përdorimi i ndërtesave të konservuara për projekte pa dëmtuar strukturën dhe
atmosferën.
- Mospërqendrimi i burimeve në disa objekte në kurriz të të tjerave.
- Vlerësimi i monumenteve jo si “kreditime me risk”, por si gjeneratorë të
ardhurash.
- Vlerësimi i monumenteve jo vetëm në një kuadër të ngushtë kombëtar, por
duke i parë ato brenda hapësirash të gjera kulturore, ballkanike e evropiane.

Reformat e planifikuara:
1. Përmirësimi i paprerë i legjislacionit, duke synuar njësimin ligjor me vendet e BE-
së, pra duke sjellë standardet më të larta legjislative që rregullojnë marrëdhëniet midis
monumenteve, shtetit dhe komuniteteve, marrëdhënie që deri më tash nuk kanë qenë
të strukturuara siç duhet për sa i përket përgjegjësive dhe përfitimeve. Përfundimi i
zonifikimeve dhe i rregulloreve përkatëse, pra përfundimi i procesit të çertifikimit ligjor
të monumenteve dhe zonave monumentale, do të jetë një nga prioritetet e
institucioneve të ngarkuara me ligj për mbrojtjen e trashëgimisë. Ky proces unifikimi
ligjor do të jetë edhe një proces hapjeje dhe integrimi për sa i përket mbrojtjes ligjore të
monumenteve, në një këndvështrim më të gjerë evropian. Legjislacioni, është arma
thelbësore në rregullimin e të gjitha anomalive. Përveç përmirësimeve ligjore,
thelbësore është edhe zbatimi i legjislacionit aktual.

2. Plotësimi dokumentar-shkencor i monumenteve, duke i pajisur të gjithë


monumentet me pasaporta të sakta tekniko-shkencore, të cilat do të përmbledhin të
dhënat më të rëndësishme arkivore, nisur nga standardet më të larta të parashikuara
nga organizmat ndërkombëtare për monumentet. Plotësimi i dokumentacionit
shkencor do të ecë krahas plotësimit të dokumentacionit ligjor, duke mos i parë këto
procese si të shkëputur nga njëri-tjetri. Përdorimi i teknikave më të fundit dhe i
teknologjive më të përshtatshme, do të sjellë një inventarizim modern të
monumenteve, listave të monumenteve, kategorive të tyre, duke bërë të mundur që
dokumentacioni i përgatitur të jetë i gatshëm për të përgatitur në kohë reale projekte
ambicioze lidhur me monumentet.

3. Ristrukturimi tërësor i veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me ligj për


mbrojtjen dhe menaxhimin e monumenteve. Krijimi i strukturave më të zhdërvjellëta
të cilat të sigurojnë një mbulim sa më optimal territorial, krijimi i strukturave efikase
që të sigurojnë jo vetëm mbrojtje, por edhe një menaxhim dobiprurës të monumenteve,
krijimi i strukturave moderne që sigurojnë bashkërendimin maksimal midis organeve
qeverisëse qendrore dhe vendore, komuniteteve vendore dhe organizmave të shoqërisë
civile, do të sigurojë një bashkëveprim më të madh lidhur me monumentet.

4. Bashkëpunimi institucional do të shtrihet në të gjithë nivelet shtetërore të


ngarkuara për mbrojtjen e trashëgimisë, urbanizimit dhe ruajtjes së mjedisit. Ky
bashkëpunim do të sigurojë një vëmendje më të madhe për monumentet, duke i parë
ato si pjesë të pandarë të mjedisit. Ky bashkëpunim do të shtrihet edhe në fushën e
menaxhimit të trashëgimisë monumentale.

5. Reformimi shkencor i institucioneve shtetërore të ngarkuara me trashëgiminë, duke


bërë të mundur krijimin e brezit të ri të restauratorëve të arkitekturës dhe artit, si dhe
përmirësimin e dijes teknologjike të restauratorëve aktualë, duke nxitur trajnimin dhe
kualifikimin e tyre. Ndryshimi konceptual i përgatitjes së projekteve shkencore do të
synojë kalimin nga faza e emergjencës, në një fazë më të lartë preventive, duke
kërkuar në të njëjtën kohë që çdo ndërhyrje në monumente të sjellë një përmirësim
cilësor, dhe jo vetëm sasior, nisur gjithmonë edhe nga koncepti i planeve afatgjatë.
Rikonceptimi i veprimtarisë shkencore të institucioneve dhe individëve do të jetë një
nga sfidat më serioze të Strategjisë Kombëtare në këtë fushë, duke bërë të mundur
njohjen e nivelit më të lartë teknologjik të kohës së sotme, për t’i bërë monumenteve
shërbimet e merituara nisur edhe nga cilësia e tyre. Edhe veprimtaritë e mirëfillta
shkencore, si seminare, konferenca e kongrese, do të jenë në fokusin e institucioneve
tona shkencore, si pjesë e pandarë e veprimtarisë së përditshme.

6. Përfshirja e komuniteteve vendore, si partnerë në vendimmarrjen për monumentet,


duke kërkuar jo vetëm kontributin e tyre, por edhe duke pasur si koncept drejtues
çështjen e madhe të rijetëzimit të monumenteve dhe përfshirjen e tyre në jetën social-
ekonomike të komuniteteve. Përfshirja e komuniteteve nuk duhet parë e ndarë nga
koncepti i propagandimit të monumenteve, të cilat duhet të kthehen në pjesë aktive të
veprimtarisë së vendasve të ndërgjegjshëm për detyrimin që kemi kundrejt brezave të
së shkuarës dhe të së ardhmes. Propagandimi i monumenteve do të shihet i lidhur
ngushtë me të gjithë veprimtarinë botuese dhe mediatike të institucioneve kulturore,
të cilat duhet të synojnë jo vetëm një publik elitar, por edhe publikun e gjerë.

7. Shtimi i fondeve në mbrojtje të monumenteve, hap që do të shihet i pandarë nga


shtimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, institucionet donatore dhe
privatët. Ky lloj bashkëpunimi do ta shohë Shqipërinë të renditet në hartat botërore të
itinerareve të turizmit kulturor, ngase certifikimi ndërkombëtar është një pasaportë e
vlefshme për këtë lloj veprimtarie. Ndaj, institucionet e ngarkuara me ligj për
mbrojtjen e trashëgimisë do të kërkojnë që edhe site të tjera të rëndësishme shqiptare
të shtohen në Listën e pasurive botërore të UNESCO-s, duke shtuar mundësitë e
turizmit shqiptar dhe duke lehtësuar punën për propagandimin e pasurisë sonë
kulturore në botë.

8. Kujdesi në terren për monumentet dhe mbrojtja e tyre, sidomos nga abuzimet e
kryera nga dora e njeriut, është një nga hapat strategjikë që ka tërhequr dhe tërheq
vëmendjen e institucioneve, duke bërë një punë të imët vëzhguese lidhur me të gjitha
shkeljet në monumentet, evidentimin e tyre dhe marrjen e masave përkatëse tekniko-
ligjore që mundësojnë jo vetëm shmangien e gabimeve të së shkuarës, por nuk lejojnë
hapësira për shkelje në të ardhmen. Për të evituar shkeljet e mundshme dhe për të
riparuar shkeljet e kryera, bashkëpunimi me policinë ndërtimore do të sigurojë një
mbrojtje më efikase.

9. Veprat monumentale që gjenden në truallin e Kosovës dhe më gjerë janë pjesë


organike e trashëgimisë kulturore kosovare e shqiptare, dhe natyrshëm janë pjesë e
trashëgimisë kulturore evropiane. Motoja jonë duhet të jetë: përbashkësi. Kjo do të
thotë se flukse të të gjitha llojeve, studimore, ndërhyrëse, deri edhe financiare, duhet
të vërshojnë në gjithë arealin shqiptar, mbështetur edhe nga politika largpamëse të
përbashkëta. Nevojiten projekte, studime dhe botime të përbashkëta, si dhe përfshirja
e specialistëve të ndërsjelltë në këshillat shkencore dhe në redaksitë shkencore.
Asistimi shkencor i organizmave simotra në Kosovë sipas marrëveshjes së
bashkëpunimit dhe asistencës duhet të jetë një hap, për të mos kufizuar aspiratën
tonë monumentale vetëm në një territor të përkufizuar ngushtë.

10. Përveç propagandimit, një veprimtari e gjerë edukuese lidhur me vlerat e


trashëgimisë sonë, shihet si prioritare, dukë përfshirë të gjithë mekanizmat edukues e
shkencore të vendit në një nismë të përbashkët.

11. Bashkëpunimi midis restauratorëve dhe arkeologëve, shihet si kusht i


domosdoshëm për të rritur impaktin e veprimtarisë institucionale. Gërmimet e reja
arkeologjike duhet të planifikohen bashkërisht për të mos lejuar asnjë lloj dëmtimi apo
mungesë vëmendjeje.
12. Shtimi i kërkimeve arkeologjike në të gjithë territorin e vendit, bashkëpunimi i
ngushtë me organizma prestigjiozë në fushën e kërkimit dhe veprimtarisë shkencore,
shtimi i kontrollit mbi territorin, si dhe menaxhimi i pasurisë arkeologjike në
përputhje me parimet e njohura ndërkombëtarisht, janë prioritete themelore të
veprimtarisë shtetërore në këtë fushë. Bashkëpunimi me institucionet që kujdesen për
përdorimin e tokës, për mjedisin dhe planifikimin territorial duhet të jetë thelbësor, pa
lënë mënjanë bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë. Përmirësimet
ligjore dhe zbatimi i sanksioneve duhet të sigurojnë një mbrojtje efikase për
trashëgiminë arkeologjike, duke mos lejuar as ndërtime pa leje në zonat e mbrojtura.
Ndërhyrjet në site duhet të jenë sa më profesionale dhe të përdorin metoda moderne.
Kujdes do t’i kushtohet edhe pasurisë kulturore nënujore.

13. Ndërgjegjësimi dhe promocioni (“ditët e hapura”, “viti i arkeologjisë”, etj.); përpjekje
për të hapur sektorë të rinj për publikun (turizmi kulturor, dokumente, shfaqje të
specializuara, etj). E gjitha kjo kërkon një strategji të plotë për propagandimin e
vlerave, përmes mediave dhe botimeve serioze në këtë lëmë, jo vetëm të tharmit
shkencor, por edhe divulgativ, pra botime që t’i drejtohen publikut të gjerë, me mjete
klasike dhe moderne, përmes albumeve, emisioneve, artikujve dhe botimeve
elektronike, në mënyrë që të rritet informacioni në këtë drejtim, por edhe të kërkohet
bashkëpunim i ngushtë me publikun, i cili duhet të ndërgjegjësohet për pasuritë tona
kulturore, duke qenë pjesë aktive në ndryshimet cilësore e sasiore që nevojiten.

Diskutimi i çështjeve që lidhen me monumentet, në një këndvështrim strategjik


afatgjatë, do të jetë një nga prioritetet institucionale, që do të sjellë një kontribut të
ndjeshëm për të arritur maksimalizimin e kapaciteteve konceptuale dhe shkencore
lidhur me monumentet, proces që duhet të jetë i vazhduar dhe i përgjegjshëm, sa
kombëtar aq dhe ndërkombëtar, sa i lidhur me të shkuarën, aq i lidhur dhe me të
ardhmen.

Trashëgimia e luajtshme

Trashëgimia materiale e luajtshme paraqet vlera të konsiderueshme. Një pjesë e


madhe e pasurisë së luajtshme ruhet në muzume, arkiva, biblioteka, pa përjashtuar
atë pjesë të trashëgimisë që zotërohet nga privatët. Institucionet përgjegjëse për
ruajtjen dhe studimin e kësaj pasurie janë Instituti i Kulturës Popullore, Qendra
kombëtare për inventarizimin e pasurisë kulturore, muzeumet kombëtare, ku vlen të
përmendet Fototeka Marubi, etj. Prioritetet në këtë fushë janë:

1. Kujdesi për ruajtjen e identitetit kombëtar.

2. Krijimi i kushteve për ekspozimin dhe propagandimin e pasurive


kulturore të luajtshme.

3. Kujdesi për standardet muzeumologjike.

4. Krijimi i fondeve shtetërore për pasurimin e koleksioneve dhe për


restaurimin e tyre.

5. Inventarizimi, katalogimi dixhital dhe publikimi i pasurisë kulturore të


luajtshme.

6. Rritja e standardeve shkencore në trajtimin e kësaj pasurie.

7. Krijimi dhe licensimi i tregut të trashëgimisë kulturore të luajtshme.

8. Ndërkombëtarizimi i kësaj pasurie në kuadrin e turizmit kulturor,


përmes mediave dhe internetit.

9. Shtimi i muzeumeve shtetërore dhe lehtësimi i procedurave për hapjen e


muzeumeve privatë.

10.Rritja e kujdesit shtetëror dhe bashkëpunimit institucinoal kundër


trafikimit.
11. Rritja e aksesit të publikut.

12.Kujdes i veçantë për institucionet kombëtare të ruajtjes së pasurisë


kulturore të luajtshme.

13.Kujdes i veçantë për edukimin e popullsisë me vlerat e kësaj trashëgimie,


sidomos në sistemin arsimor.

14.Inkurajimi i donacioneve.

15.Përdorimi i hapësirave muzeale për veprimtari sociale.

16.Përdorimi i trashëgimisë së luajtshme në kontekstet e reja shoqërore, si


kundërmasë ndaj globalizimit.

Trashëgimia shpirtërore.

1) Gjuha.

Gjuha shqipe i përket familjes së gjuhëve Indo-Europiane. Ajo përbën një degë të
veçantë në këtë familje. Është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por dokumentat e
shkruara, ashtu si edhe gjuha Romane, datojnë vetëm në shekullin XV. Dokumenti i
parë shkrimor është Formula e Pagëzimit e vitit 1462. Në vitin 1908, Kongresi i
Manastirit adoptoi alfabetin latin. Në Shqipëri, grekët, maqedonasit dhe malazezët
konsiderohen si minoritete etnike, ndërsa romët dhe arumunët konsiderohen si
minoritete gjuhësore.
Prioritetet në këtë lëmë:

• Vlerësimi dhe respektimi maksimal për pasurinë gjuhësore të trashëguar.

• Mbrojtje ligjore për pasurinë gjuhësore.

1. Kujdes i veçantë për edukimin në të gjitha sistemet, duke i kushtur vëmendje


sistemit arsimor.

2. Pasurim i vazhdueshëm i përvojave gjuhësore e letrare.

3. Rritje të standardeve shkencore në studimin gjuhësor dhe sidomos në lëmin e


albanologjisë.

4. Forcim i kapaciteteve të institucioneve të ngarkuara me ligj për mbrojtjen dhe


studimin e gjuhës.

5. Propagandimi i vlerave gjuhësore dhe përfshirja e publikut.

6. Diskutim shkencor mbi standardet gjuhësore dhe kujdes i posaçëm për pakicat
gjuhësore.

7. Propagandim i vlerave gjuhësore shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.

2) Folklori oral dhe muzikor i të gjitha zhanreve.

Pasuria e folklorit oral dhe muzikor shqiptar është e pazakontë dhe i kapërcen
përmasat kombëtare. Ajo është një pasuri botërore, pjesë e trashëgimisë universale të
njerëzimit, e njohur si e tillë edhe nga UNESCO, që ka përcaktuar si të tillë Polifoninë
Shqiptare.
Prioritetet:

1. Ruajtja e identitetit kulturor kombëtar

2. Rritja e rolit të trashëgimisë folklorike në kulturën bashkëkohore

3. Mbledhja dhe ruajtja e pasurisë foklorike, sidomos e pasurisë gojore.

4. Forcimi i kapaciteteve administrative, financiare dhe shkencore të


institucioneve të ngarkuara me ligj për kujdesin ndaj kësaj pasurie.

5. Shtimi i botimeve shkencore në lëmin e etnografisë.

6. Mbrojtja e trashëgimisë foklorike nga rreziqet e globalizimit dhe nga hapja e


tregjeve muzikore.

7. Financimi i ekspeditave në terren për mbledhjen e kësaj pasurie dhe


modernizimi i metodologjive shkencore.

8. Krijimi dhe modernizimi i arkivave, katalogimi dhe informatizimi i


dokumentacionit.

9. Krijimi i muzeve etnografikë.

10. Edukimi shkollor me folklorin me kurrikula të posaçme.

11. Mbledhja e folklorit për pakicat.


12. Mbështetje shtetërore për individët e shquar në fushën e mbledhjes dhe krijimit
të folklorit.

13. Propagandimi i vlerave përmes panaireve, festivaleve, filmave, ekspozitave,


seminareve, simpoziumeve, kongreseve dhe botimeve. Gjithashtu edhe
propagandim për vlerat fokloristike përmes mediave.

14. Diskutimi i vlerave kombëtare folkorike në një rrafsh ndërkombëtar.


Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i vlerave në rrafsh ndërkombëtar përmes
projekteve shumëpalëshe, shkëmbimit të specialistëve etj.

3) Traditat dhe besimet e të gjitha llojeve.

Pasuria e zakoneve, dokeve, besimeve dhe besëtytnive shqiptare lidhet drejtpërdrejt jo


vetëm me lashtësinë, por edhe me pasjen e disa besimeve dhe riteve fetare. Kjo pasuri
duhet të shihet në larminë e saj dhe në zhvillimin e saj historik. Dokumentimi dhe
përhapja e vlerave do të mundësonte ruajtjen e kësaj pasurie dhe përcjelljen e saj
ardhmërisë.

4) Zejet.

Për sa u përket zejeve, Shqipëria ofron një laryshi të pamasë, ardhur nga
thellësia e shekujve dhe pasuruar me kohë. Nga Kodikët e famshëm te Ikonat,
punimet e arit dhe argjendit, gdhendja e gurit, përdorimi i metaleve, etj.,
tregojnë për një pasuri të madhe teknikash dhe zanatesh, të cilat rrezikohen sot
për shkak të jetës moderne. Përtëritja e traditave më të mira në këtë lëmë është
dhe mbetet një nga prioritetet kombëtare, edhe në perspektivën e turizmit
kulturor. Rikthimi i traditave më të mira në lëmin e zejtarisë, tekstileve,
qeramikës, arkitekturës, punimit të metaleve të çmuara, jo vetëm do të sjellë
përfitime identitare, por do të jetë një element tërheqës për turizmin dhe
krijimin e vendeve të punës.

You might also like