You are on page 1of 3

RREGULLORE PËR MBROJTJEN E DIPLOMËS NË PROGRAMET MASTER PROFESIONAL

I. PARIME TË PËRGJITHSHME
1. Mbrojtja e diplomës në programet Master profesional mund të bëhet përmes:
i. Punim diplome në formën e një projekti profesional me karakter aplikativ/praktik, i cili mund të jetë
kërkim i aplikuar (rast studimor ose studim krahasues), ndërtim aplikacioni ose shkrim projekti
profesional.
ii. Dhënies së një provimi të përgjithshëm përfundimtar (PPP), i cili është në formën e zgjidhjes së një
rasti studimor, të lidhur me fushën e profilit të programit.
2. Të drejtën për të aplikuar për punim diplome e kanë studentët me notë mesatare në hyrje së paku 7.5
(shtatë presje pesë). Studentët me notë mesatare në hyrje nën 7.5 do t’i nënshtrohen PPP. Studentët,
të cilët plotësojnë kriterin e notës mesatare për punim diplome, kanë të drejtë të zgjedhin t’i
nënshtrohen PPP.

II. MBROJTJA ME PUNIM DIPLOME


1. Aplikimi për temën e punimit të diplomës bëhet në grup, me 3-5 studentë. Kompozimi i grupit është në
vullnetin e lirë të studentëve. Ky duhet konsideruar si një proces akademik e profesional dhe nuk ka të
bëjë me shkallën e njohjes së studentëve mes tyre. Në këtë rast stimulohet dhe inkurajohet metoda e
Punës në Grup, e cila duhet të bashkojë në një pikë, interesin personal të çdo anëtari, me interesin që
cilësia e produktit të grupit të jetë maksimale.
2. Departamenti shqyrton propozimet e grupeve të studentëve dhe miraton temën, llojin e punimit, numrin
e anëtarëve të grupeve dhe pedagogun udhëheqës për çdo grup.
3. Puna për udhëheqjen e grupit të studentëve organizohet në formën e seancave metodologjike të
drejtuara nga pedagogu udhëheqës.
a. Në çdo orë të seancës metodologjike, pedagogu jep një detyrë që lidhet me pjesë të strukturës së
punimit.
b. Pedagogu ndihmon grupin në kuptimin e detyrës që jep, si dhe në ndarjen e roleve dhe detyrave
brenda grupit.
c. Ndarja e detyrave mes anëtarëve të grupit bëhet me vullnet të lirë. Nëse nuk ka dakordësi mes
anëtarëve të grupit, atëherë vendimin e merr pedagogu udhëheqës. Pedagogu udhëheqës mban
shënim detyrën që i ngarkohet secilit anëtar.
d. Studentët raportojnë për realizimin e detyrës përkatëse në seancën e ardhshme metodologjike dhe
marrin vlerësimin përkatës të pedagogut.
e. Vlerësimi i procesit të punës dhe angazhimit të çdo anëtari të grupit, ka 25% të vlerësimit të
përgjithshëm të punimit të diplomës dhe pasqyrohet në formatin e vlerësimit të punimit të firmosur
dhe dorëzuar nga udhëheqësi (formati B.II.13.3.1 (kërkim i aplikuar) ose B.II.13.3.3 (projekt
profesional).
4. Nëse studenti ka paqartësi, ka të drejtë t’i drejtohet pedagogut udhëheqës për sqarime të mëtejshme,
jo vetëm gjatë seancave metodologjike, por në çdo kohë.
5. Në rastet kur pedagogu udhëheq më shumë se një grup studentësh, gjatë seancave metodologjike ai
këshillon çdo grup në veçanti.
6. Nëse dikush nga anëtarët e grupit nuk arrin t’i përgjigjet detyrave të ngarkuara në kuadër të realizimit të
produktit, me vendim të pedagogut udhëheqës, anëtarët e tjerë marrin përsipër vijimin e punës.
Produkti final përfundohet dhe mbrohet para Komisionit prej tyre. Studenti i tërhequr nga zhvillimi i
projektit, ka të drejtë të aplikojë sërish për të punuar me një grup të ri për një punim të ri në vitin e
ardhshëm akademik, ose të mbrojë diplomën duke iu nënshtruar PPP.
7. Produkti i përfunduar i dorëzohet pedagogut udhëheqës përpara mbrojtjes/prezantimit sipas template
B.II.6.3.1 (kërkim i aplikuar) ose B.II.6.3.2 (projekt profesional), brenda afatit të përcaktuar në
Kalendarin Akademik, dhe mbrohet përpara Komisionit pasi merr miratimin e tij.
8. Mbrojtja e punimit nga anëtarët e grupit mund të bëhet në të njëjtin sezon diplomimi, ose në sezone të
ndryshme, në varësi të përmbushjes së detyrimeve të tjera akademike të programit nga ana e
studentëve.
a. Çdo anëtar i grupit duhet të jetë i aftë të mbrojë produktin, duke raportuar qartë për rezultatet e
punës në grup në përgjithësi, dhe kontributin individual që ai ka dhënë për realizimin e tij.
b. Pjesë e dokumentacionit të dosjes për mbrojtjen përpara komisionit janë vlerësimi i procesit të
punës dhe produktit të projektit nga pedagogu udhëheqës, formatet B.II.13.3.1 (kërkim i aplikuar)
ose B.II.13.3.3 (projekt profesional), dhe vlerësimi i oponentit të caktuar nga Departamenti, përmes
plotësimit dhe dorëzimit me firmë të formatit B.II.13.3.2 (kërkim i aplikuar) ose B.II.13.3.4 (projekt
profesional).
c. Komisioni gjatë mbrojtjes së punimit nga studentët vlerëson produktin e punës së tyre në grup, si
edhe prezantimin e secilit prej anëtarëve të grupit. Në përfundim të mbrojtjes plotësohet
procesverbali i vlerësimit sipas formatit B.II.13.4.
d. Në rastet kur një student e bën mbrojtjen në një sezon të mëvonshëm nga kolegët e tjerë të grupit,
vlerësimi i produktit dhe prezantimit përcaktohet nga Komisioni përpara të cilit ai bën mbrojtjen.
Vlerësimi i udhëheqësit dhe oponentit mbetet ai i dorëzuar në sezonin e parë të mbrojtjes së
punimit përkatës.

III. MBROJTJA ME PROVIM TË PËRGJITHSHËM PËRFUNDIMTAR (PPP)


1. Ky provim kërkon studim të rastit (të quajtur edhe skenar). Ai është hartuar për të testuar aftësinë tuaj
për të lidhur teoritë dhe konceptet me situata të botës reale.
2. Përgatitja para provimit:
a. Filloni duke identifikuar teoritë dhe konceptet e trajtuara në programin tuaj të studimit, kryesisht të
lidhura me Profilin e studimit që keni zgjedhur. Organizoni dhe rishikoni informacionin që keni për
këto teori / koncepte në mënyrë që t'i kuptoni ato.
b. Praktikoni leximin e rasteve studimore dhe identifikimin e informacionit ku duhet të përqendroheni
për t’i dhënë zgjidhje. Do ishte e dobishme të praktikonit zgjidhjen e rasteve studimore, brenda të
njëjtit afat kohor që do të keni në dispozicion gjatë provimit (150 minuta).
3. Gjatë provimit
i. Planifikoni shfrytëzimin e kohës në dispozicion: Ndani mirë kohën që do ju duhet për të lexuar
pyetjet, rastin studimor dhe kohën që do ju duhet për të shkruar përgjigjen tuaj.
ii. Merrni kohën e nevojshme për t'u siguruar që e keni kuptuar rastin studimor, dhe e dini se çfarë
duhet të bëni në përgjigje të pyetjeve të parashtruara;
a. Lexoni si fillim pyetjet e rastit studimor;
b. Më pas hidhini një sy rastit studimor për të krijuar një ide të përgjithshme. Nënvizoni pikat
kyçe.
c. Rilexoni pyetjet për t'u siguruar që i keni kuptuar saktë ato dhe të dini ku të përqendroheni kur
ta rilexoni rastin.
d. Rilexoni rastin me kujdes. Mbani shënim të gjitha idetë që ju vijnë në mendje.
e. Përgjigjuni pyetjeve duke lidhur teoritë dhe konceptet përkatëse me informacionin e paraqitur
në rastin studimor. Si rregull, do ju duhet ta shkruani përgjigjen tuaj me paragrafë të
organizuar mirë, që kanë një tematikë të qartë dhe mbështeten në evidenca dhe shembuj.
f. Në vend që thjesht të përshkruani ose të riprodhoni informacionin që merrni nga teksti i rastit
studimor, përdorni detaje specifike ose shembuj për të mbështetur argumentet dhe
përfundimet tuaja. Ky është momenti ku ju bëni lidhjen e teorisë me faktet e paraqitura në
rastin studimor.
4. Teza e provimit dhe korigjimi
a. Teza e provimit, si rregull përmban një rast studimor kompleks, të shoqëruar me pyetjet të cilat
ndihmojnë studentin të fokusojë përgjigjen e tij. Tezat hartohen sipas formatit A.IV.2.5.
b. Teza miratohet nga Përgjegjësi i Departamentit dhe përgjegjësi i grup-lëndës përkatëse, duke
mbajtur konsideratë që koha në dispozicion të studentit (150 minuta) është e mjaftueshme për ta
zgjidhur plotësisht tezën e provimit.
c. Departamenti harton së paku një tezë për çdo profil të programit të studimit Master Profesional.
Për profilet që ofrohen në bashkëpunim me departamentet e tjera, teza e provimit hartohet nga
departamenti ku buron profili, me kërkesë të Departamentit që ofron programin e studimit.
d. Provimet korigjohen me komision të përbërë nga 3 anëtarë, sipas miratimit nga Përgjegjësi i
departamentit. Në përfundim të korigjimit, përgatitet procesverbali i vlerësimit, ku nota e studentit
llogaritet si mesatare e vlerësimit të anëtarëve të komisionit.

You might also like