You are on page 1of 2

Fjala e plotë:

(Fjala e Ramiz Alisë me dyer të mbyllura më 1989)


“Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kjo
strategji do të synojë në dy drejtime:
1. Në respektimin e të drejtave të njeriut
2. Në krijimin e pluralizmit politik.
Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do
të bëhet se s’bën.
Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta dhe të qendrës, por
gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne.
Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne.
Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëz që përkrahin Strategjinë Tonë.
Partia që do të marrë pushtetin, do ta shajë komunizmin me themel e me çati.
Në këtë mënyrë, do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste.
Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, do të flasin për ne
dhe do të na shajnë. Dhe këta, dihet që e urrejnë komunizmin, por do të na afrohen e do të na
përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të
parëndësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të na marrin pushtetin, sepse Ata, sa të marrin fuqinë, do
të fillojnë të hakmerren dhe Ne kështu, do të bëhemi hyzmeqarët e tyre.
Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet që t’u japim edhe kompensim në para të burgosurve
politikë e t’i kompletojmë edhe me komoditete banimi.
Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë, që “’t’u njihet prona”, por
asnjëherë nuk do t’ua japim Pronën e Tyre dhe, në forma të ndryshme, do t’i ngatërrojmë me njëri-
tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacioni, nga Gjykata e Shkallës së Parë
në të Dytën dhe, për “defekte teknike”, do të kthehen përsëri në të Parën.
Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet
të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke iu dhënë nga një pashaportë dhe duke u bërë
presion, do t’i largojmë nga Shqipëria.
Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të
ndëshkohen.
Pasuria e tyre na përket Neve, se Ne e bëmë.
Materialin që më dërgoi Gorbaçovi kam dy vjet që e studioj. Ata (sovjetikët) kanë ecur shumë
përpara. Për këtë Ju jeni në dijeni, sikundër i kemi diskutuar edhe më parë këto probleme.
Neve kemi kuadro sa për shtatë komitete qendrore, ndaj nuk ka asnjë arsye që të kemi frikë. Ne i
kemi studimet dhe platformat gati për zbatim. Do të ketë shumë intelektualë që do të na
kundërshtojnë, por këtyre do t’ua mbyllim gojën dhe do t’u japim nga një copë punë. Një shqetësim
mund të na krijojnë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës së
Veteranëve të Luftës dhe të Punës, pastaj do t’u japim nga një minipension dhe do t’u mbajmë ison.
Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Le të bëjnë si të duan, sepse Ne kemi platformën
tonë.
Çdo gjë e kemi të programuar. Strategjinë e keni që të gjithë të qartë. Në përputhje me këtë
strategji, kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një
propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe, ndaj
Nomeklaturës së Lartë Komuniste, “Ne, Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë Strategjinë tonë
në Ekonomi, sipas së cilës Kapitalistët dhe Pronarët e Ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe
Njerëzit Tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga Klasa Komuniste
të krijojmë Klasën Kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes, që e
kemi planifikuar dhe po e përgatisim Vetë.
Të jeni të sigurtë që e Ardhmja do të jetë e Jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit
politik të armiqve tanë.
E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq Gjak dhe do të
derdhim përsëri, po të jetë nevoja.
Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe Fëmijët tanë. Nëse do të ndodhë që të na marrin pushtetin dhe të
na rrezikojnë, atëherë haram na qoftë nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë Fitoret e arritura, qoftë edhe
me grykën e pushkës, si dikur, në Rininë tonë. Prandaj, gjithmonë të jemi të përgatitur për të dyja
rrugët e mbajtjes së pushtetit: rrugën paqësore dhe rrugën e luftës së armatosur. Ne jemi përgatitur
për të dyja rrugët dhe për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur e të aftë,
që i kemi përgatitur për gjithë këto vite, me mund dhe sakrifica. Mjerë Ata që do të guxojnë të Na
dalin përpara e të Na kundërvihen. Ndaj mbajeni moralin lart dhe mos u frikësoni. Nëse lind nevoja,
do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja
t’jua përmend.

Ditën e mirë dhe mirupafshim!”

You might also like