You are on page 1of 34

_______________________________________ ________________________________

REPUBLIKA E SHQIPERISË
KUVENDI
KËSHILLI PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN

Dokument parlamentar
DRAFT
RAPORT PËR KËRKESAT MBI NDJEKJEN E E PROCEDURËS PARLAMENTARE
PËR KONSTATIMIN E PAVLEFSHMËRISË DHE MBARIMIT TË MANDATIT TË
DEPUTETES ZNJ. OLTA XHAÇKA
(Propozuar nga deputetët e shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe
Imunitetin)

I. HYRJE

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në cilësinë e organit përgjegjës parlamentar,
në përputhje me nenin 13, pika 4 të Rregullores së Kuvendit, nën drejtimin e Kryetares së
Kuvendit, në mbledhjet e datave 24.06.2022, 01.07.2022, 08.07.2022, 15.07.2022, 17.09.2022
dhe __.10.2022, mori në shqyrtim mocionin e 1/10 të deputetëve të grupit parlamentar të Partisë
Demokratike nr. , datë , si dhe kërkesën e _______ të deputetëve të tjerë të opozitës nr.
___, datë ____, me objekt “Ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e
pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Me shkresën nr. 2283 protokolli, datë 20.06.2022, 1/10 e deputetëve të grupit parlamentar të
Partisë Demokratike kanë depozituar pranë Kuvendit një mocion me objekt: “Ndjekja e
procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të
deputetes znj. Olta Xhaçka”.

Me shkresën nr. 2402, datë 1.07.2022, ___ deputetë opozitarë, kanë depozituar kërkesë për
mocion drejtuar Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin me objekt “Ndjekjen e
procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të
deputetes Olta Anxhelo Xhaçka”.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e datës 08.07.2022, duke
vlerësuar se të dyja kërkesat kishin të njëjtin objekt dhe pothuajse të njëjtin dokumentacion mbi
të cilin mbështesin pretendimet e tyre, vendosi bashkimin dhe shqyrtimin e dy kërkesave nga
Këshilli në të njëjtën procedurë për këtë çështje.

1
Kërkesat dhe dokumentacioni shoqërues u vunë menjëherë në dispozicion të anëtarëve të
Këshillit dhe deputetes znj. Olta Xhaçka. Të dyja kërkesat u prezantuan në Këshill nga kërkuesit.
Znj. Olta Xhacka ushtroi të drejtën e saj për t’u dëgjuar, duke autorizuar të japë parashtrime në
emër dhe për llogari të saj Av. Genci Cifligu, referuar shkresës ______. Z. Cifligu paraqiti
parashtrime përpara Këshillit për kërkesën nr. ______, në mbledhjen e datës ______; ndërsa për
kërkesën nr. ______ nuk paraqiti parashtrime.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e datës 08.07.2022, për të
përgatitur raportin e Këshillit, caktoi në cilësinë e relatorëve znj. Klotilda Bushka, e propozuar
nga deputetët e mazhorancës dhe z. Gazment Bardhi, propozuar nga deputetët e opozitës.
Këshilli zhvilloi gjithsej ___ mbledhje.

II. BAZA KUSHTETUESE DHE LIGJORE

 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Neni 70

1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.


2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të
anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit
ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së
dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e
cila konstaton papajtueshmërinë.

Neni 71, pika 2


Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në
nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

 Ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në


ushtrimin e funksioneve publike", të ndryshuar"
Neni 21

2
1. Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara në kreun
III, seksioni 2 të këtij ligji, gjyqtarët e prokurorët në nivelin e gjykatës së shkallës së parë e në
atë të apelit, dhe asnjë shoqëri tregtare, ortakëri a shoqëri e thjeshtë, ku ky zyrtar zotëron, në
mënyrë aktive apo pasive, aksione a pjesë në kapital, në çfarëdo sasie, nuk mund të lidhë
kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik.”
Kufizimet dhe ndalimet e vendosura ne ligjin 9367/2006 jane kufizime te cilat ligji i shtrin edhe
ne rrethi i personave te lidhur me zyrtarin dhe për të cilët ligji ka parashikuar përgjegjësi
individuale në rast të shkeljes të kufizimeve te vendosura ne ligj, sipas nenit 44 të ligjit
9367/2003, i ndryshuar.
Neni 24
1. Rrethi i personave të lidhur me zyrtarin, në zbatim të ndalimeve të përcaktuara në nenin 21
dhe në nenin 22 të këtij ligji, përbëhet nga bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja fëmijët në moshë
madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe bashkëjetuesit/es.
2. Rrethi i personave të lidhur me zyrtarin, në zbatim të nenit 23 të këtij ligji, përveç atyre të
përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, zgjerohet edhe me çdo person fizik ose juridik, i cili, në lidhje
me dhuratën, favorin, premtimin ose trajtimin preferencial, luan rolin e ndërmjetësit a të
shkëmbyesit të interesave të lindur nga ky veprim.
3. Ndalimet dhe kufizimet për zyrtarin, të përcaktuara në këtë seksion, zbatohen edhe për
personat e lidhur me të, në përputhje me pikat e mësipërme të këtij neni.
4. Kufijtë e zotërimit të aksioneve ose të pjesëve në kapital janë të njëjtë me ata të përcaktuar në
nenin 21 të këtij ligji edhe:
a) për çdo person të lidhur me zyrtarin veç e veç;
b) për tërësinë e interesave të zyrtarit dhe të personave të lidhur me të;
c) për tërësinë e interesave të personave të lidhur me zyrtarin.
5. Ndalimet dhe kufizimet e këtij seksioni nuk zbatohen për personat e lidhur me personat e
lidhur me zyrtarin

Neni 28

Deputeti
a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik
tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të
noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të
përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në
një detyrë tjetër;
c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie
tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.

Neni 35

3
“1. Person i lidhur, për qëllim të neneve 27 deri 33 të këtij ligji, për kufizimet e interesave
privatë të zyrtarëve, të përcaktuar në nenet e tjera të këtij seksioni, janë vetëm bashkëshorti/ja,
bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe
bashkëjetuesit/es.
2. Në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, ato
vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit dhe personit të lidhur i
kufizohen të drejtat pasurore për to, në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë zyrtarit.”.

Neni 45
“1. Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj nga zyrtarët përbën shkelje disiplinore,
pavarësisht nga përgjegjësia penale apo administrative. Masat disiplinore zbatohen në
përputhje me ligjet, që rregullojnë marrëdhëniet e punës dhe/ose statusin e zyrtarëve. Për masat
disiplinore të marra nga institucionet përkatëse, njoftohet rast pas rasti Inspektorati i Larte.
2. Për zyrtarët, që njësohen ose janë anëtarë të organeve kushtetuese, zbatohen masat dhe
procedurat e përcaktuara nga Kushtetuta dhe dispozitat ligjore përkatës.”.

III. NË ASPEKTIN PROCEDURIAL


Rregullorja e Kuvendit në nenin 13, pika 4 e saj parashikon:
4. Këshilli shqyrton të gjitha çështjet e vlefshmërisë së mandatit të deputetit sipas nenit 70 të
Kushtetutës.

Në nenin 119/1 i Rregullores parashikon:

Proçedura e konstatimit të kufizimeve

1. Kufizimet e përcaktuara në këtë nen fillojnë ditën që deputeti shpallet i zgjedhur nga
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ose, në rast ankimi, nga gjykata kompetente. Deputeti merr të
gjitha masat për të shmangur çdo situatë papajtueshmërie ose konflikti interesi, që mund të lindë
në momentin e fillimit të mandatit parlamentar dhe gjatë gjithë kohës që ai vazhdon. Deputeti
ndërmerr veprimet konkrete jo më vonë se momenti i shpalljes së rezultatit përfundimtar të
zgjedhjeve, kohë në të cilën mundësohet siguria dhe qartësia te deputeti për të ardhurat e tij
financiare.
2. Për çdo shkelje të kufizimeve të këtij neni, çështja dërgohet pa vonesë në Gjykatën
Kushtetuese. Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon
nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve
nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur,
verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret
kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës për vënien në lëvizje të
Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e
mocionit në seancë plenare, në përputhje me parashikimet e Rregullores së tij.

4
3. Kuvendi nuk vë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk ia nënshtron atë debatit
parlamentar, pasi nuk i hyn themelit të çështjes për të vlerësuar nëse veprimet konkrete të
pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij.
4. Vlerësimi i meritës së çështjes, nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur pikën 3, të nenit 70,
të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një
çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.

IV. JURISPRUDENCA E GJYKATËS KUSHTETUESE

 Vendimi nr. 44, datë 07.10.2011, të Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese në lidhje me momentin e fillimit të mandatit shprehet:

“Gjykata thekson se detyrimi i deputetit për të marrë të gjitha masat e duhura me qëllim
përfaqësimin sa më të mirë të zgjedhësve në ushtrimin e mandatit të tij, konform detyrimeve
kushtetuese dhe ligjore duhet të fillojë që në periudhën para zgjedhore (përfshirë këtu dhe
fushatën zgjedhore ). Gjykata vlerëson se nuk pritet patjetër nga zgjedhësit që kandidati të heqë
dorë nga çdo burim jetese para se të zgjidhet deputet, pasi një gjë e tillë bie ndesh me të drejtën
e tij individuale për një jetë të denjë. Por ai duhet të marrë masa për të shmangur çdo situatë
papajtueshmërie apo konflikti të interesit që mund të lindë në momentin e marrjes (fillimit) të
mandatit parlamentar dhe gjatë gjithë kohës që ai vazhdon. Veprimet konkrete për këtë qëllim
nevojiten të merren më së voni deri në momentin e shpalljes së rezultatit përfundimtar të
zgjedhjeve, kohë në të cilën mundësohet siguria dhe qartësia tek deputeti për të ardhurat e tij
financiare.

Pavarësisht sa më sipër, Gjykata thekson se pasojat juridike të mandatit fillojnë në momentin që


kandidati shpallet deputet nga KQZ-ja. Nga ky moment deputeti është i detyruar të plotësojë të
gjitha kërkesat kushtetuese dhe ligjore që lidhen me ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të tjera
apo deklarimet lidhur me interesat e tij financiarë, siç parashikon Kushtetuta në nenin 70 të saj
dhe ligjet e tjera përkatëse”.

 Vendimi nr. 7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese

“29. Në kuptim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se kushtetutëbërësi e ka ngritur në nivel


kushtetues të drejtën e pakicës parlamentare (në këtë rast një e dhjeta e deputetëve) për të
kërkuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si shprehje të ushtrimit të pushtetit të saj
kontrollues ndaj shumicës parlamentare. Duke i dhënë asaj një mbrojtje kushtetuese,
kushtetutëbërësi ka evituar ndërhyrjen e shumicës në ushtrimin e kësaj të drejte, si dhe
diskrecionin e shumicës në interpretimin dhe vlerësimin e saj rast pas rasti. Megjithatë, Gjykata
vlerëson se përmbajtja e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës nuk e ka zhveshur tërësisht Kuvendin
nga vendimmarrja, por i ka kufizuar hapësirën e vlerësimit, duke ia njohur atë vetëm për
5
verifikimin e kritereve juridiko-formale për inicimin e procesit. Në të tilla raste Kuvendi,
nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon nëse mocioni i
paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e
dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes
së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara
në pikën 3 të nenit 70 për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për
respektimin e procedurës parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare, në përputhje
me parashikimet e Rregullores së tij.

30. Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e
paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ
kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t`u shprehur për
themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare, Gjykata nuk mund
të shqyrtojë kërkesa të tilla. Vendimmarrja e Kuvendit në raste të tilla është në funksion të
legjitimimit të këtij organi si një nga subjektet që mund të venë në lëvizje juridiksionin
kushtetues. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse
veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij,
sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm
Gjykatës Kushtetuese. Me fjalë të tjera, ndonëse verifikimi dhe vlerësimi i kritereve juridiko-
formale të kërkesave të kësaj natyre është një çështje që i përket Kuvendit, vlerësimi i meritës së
çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3 të nenit 70
të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një
çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese. Një përfundim i tillë gjen mbështetje edhe
në jurisprudencën e kësaj Gjykate, e cila ka theksuar edhe më parë se është organi i vetëm që ka
kompetencën të vendosë nëse veprimet konkrete të një anëtari të Parlamentit, kundër të cilit
është iniciuar procedura për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin, janë në kundërshtim
me Kushtetutën (shih vendimet nr.29, datë 30.06.2011; nr.44, datë 07.10.2011 të Gjykatës
Kushtetuese).

31. Gjykata, në ndryshim nga sa pretendojnë subjektet e interesuara, vlerëson se edhe pse në
përmbajtjen e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës nuk është përdorur termi “është i detyruar”, kjo
nuk nënkupton se vlerësimi në këtë rast është në kompetencë të Kuvendit, por se vënia në lëvizje
e Gjykatës kërkon një vendimmarrje të këtij organi, e cila është produkt i seancës plenare, pas
respektimit të procedurave parlamentare. Nëse do të pranohej një pushtet i tillë i pakufizuar i
Kuvendit, atëherë parashikimi kushtetues do të zhvishej nga qëllimi i tij, çka do të përbënte një
abuzim me pushtetin e shumicës dhe do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe të
balancimit ndërmjet pushteteve. Institucionalizimi i pushtetit të pakicës parlamentare, i
materializuar në të drejtën për të kërkuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, është bërë
nga kushtetutëbërësi me qëllim shmangien e qëndrimeve politike nga ana e shumicës
parlamentare. Në rast se do të pranohej një interpretim i ndryshëm i kësaj norme, atëherë
pakica parlamentare do të diskriminohej në raport me shumicën parlamentare, për sa kohë që

6
ushtrimi i së drejtës së saj kushtetuese, i garantuar në pikën 4 të nenit 70 të Kushtetutës, do të
ishte në diskrecionin e kësaj të fundit.

32. Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të
Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është
i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka
kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen. Në raste të tilla hapësira e vlerësimit të Kuvendit
lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat
parlamentare të parashikuara në Rregulloren e këtij organi.”

 Vendimi nr. 32, datë 03.06.2016 të Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 32, datë 03.06.2016 shprehet se “Nëse deputeti përveç
pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte edhe të ardhura të tjera nga buxheti i shtetit
për shkak të profesionit të tij primar, atëherë ky parim do të cënohej. Kjo i shërben parimit të
shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik
duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose
emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë.”1

 Vendimi nr. 93, datë 17.05.2016 të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e


moskompetencës së Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmërinë/mbarimin e mandatit
të deputetes

Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 93, datë 17.05.2016 shprehet se: “Kolegji i Gjykatës
Kushtetuese me Vendim nr. 93 datë 17.05. është shprehur se, sipas pikës 3 të Kushtetutës, që
Kuvendi të kërkojë pavlefshmërinë apo mbarimin e mandatit të deputetit duhet që shkelja e pikës
3 të nenit 70 të jetë kryer nga vetë deputetit dhe jo personat e lidhur me të.”

V. RRETHANAT DHE ARGUMENTAT E PARASHTRUARA NGA


KËRKUESIT E MOCIONIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË
DEMOKRATIKE

Nga ana e kërkuesve, deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, parashtrohet se:

- Shoqëria tregtare AG. TCC sh.p.k., me objekt veprimtarie investime në hoteleri-turizëm,


e krijuar vetëm 4 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për investimet strategjike, rezulton se
është në pronësi të z. Artan Gaçi, i cili është administrator dhe ortaku i vetëm i kësaj
shoqërie. Z. Artan Gaçi rezulton se është bashkëshorti i deputetes së Partisë Socialiste
dhe Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme znj. Olta Xhacka.

1
Vendimi 32, datë 03.06.2016 i Gjykatës Kushtetuese, fq. 9
7
- Me vendimin nr. 3/5, datë 29/03/2021 “Për miratimin e statusit “Investim/investitor
strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY
SUITES”, me subjekt "AG.TCC" sh.p.k., me NUIS L52227046H të Komitetit të
Investimeve Strategjike, subjekti ka përfituar statusin e investitorit strategjik për
ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe
me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himarë. Ndër të tjera, vendimi i
Komitetit të Investimeve Strategjike parashikon masat lehtësuese që përfiton kompania
në pronësi të bashkëshortit të Ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka.

- Me vendimin e KIS nr. 3/5, datë 29.03.2021, shoqëria tregtare AG. TCC sh.p.k., në
pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka, ka përfituar masën
mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30
vjeçare. Sipas vendimit, shoqëria investuese synon që zonën e bregdetit ta përdorë
ekskluzivisht për zhvillimin e veprimtarisë turistike në shërbim të Hotelit që po zhvillohet
dhe për këtë qëllim, në këtë zonë planifikohet të instalohen disa stacione plazhi, ku
synohet të ofrohet shërbim i cilësisë së lartë, në përputhje edhe me standardet më të mira
ndërkombëtare. Për këtë arsye, por edhe me qëllim që subjekti investues të përfitojë nga
incentiva e reduktimit të TVSH-së, sipas pikës 2, neni 11/1 i VKM nr. 953 datë
29.12.2014, subjekti investues ka krijuar një shoqëri të dedikuar (SVP).

- Më datë 25/06/2021 znj. Taëni Lin Grzych-Sutton, shtetase amerikane e lindur më 1990
dhe banuese ne Rezidencën “Kodra e Diellit” Nr. 22, Shk. 298, Ap. 14 Tiranë, Shqipëri,
ka krijuar me një kapital prej 500 milion lekë, shoqërinë AGTCC HOTEL
MANAGEMENT, me objekt veprimtarie “shërbim hoteleri turizëm”2.

- 5 ditë pas krijimit, shoqëria AGTCC HOTEL MANAGEMENT sh.p.k. lidh marrëveshje
bashkëpunimi me nr. rep. 695, nr. kol. 420, datë 30.06.2021, me shoqërinë "AG.TCC"
sh.p.k, në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka për
administrimin e pasurisë publike që ky i fundit ka përfituar si investitor strategjik; pra
brigjet e detit dhe plazhin në zonën e Gjilekës, Bashkia Himar, ku përfshihet edhe
operimi i stacioneve të plazhit në bregun përballë hotelit, duke luajtur kështu rolin e një
shoqërie të dedikuar (SVP).

- Me vendimin nr. 3/9, datë 15/07/2021 “Për një ndryshim në vendimin nr. 3/5 datë
29.03.2021 të KIS "Për miratimin e statusit “investim/investitor strategjik procedurë e
asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY SUITES” 3, me subjekt
"AG.TCC" sh.p.k. me NUIS L52227046H, datë 15 Korrik 2021, konfirmohet përfitimi i
statusit të investitorit strategjik, masat mbështetëse dhe e drejta për përdorimin e pasurisë
publike – brigjeve të detit dhe plazhit, si dhe reflektohet marrëveshja e bashkëpunimit e
lidhur midis dy shoqërive.

2
Shiko PROVA 3 – Ekstrakt i QKR për shoqërinë tregtare AGTCC HOTEL MANAGEMENT shpk
3
Shiko PROVA 4 – Vendimi i Këshillit të Investimeve Strategjike datë 15 Korrik 2021
8
- Me vendimin nr. 137, datë 2 Mars 2022 “Për lejimin e përdorimit të brigjeve dhe të zonës
përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në funksion të realizimit të projektit investues
strategjik “DREAMADES LUXURY SUITES”, Këshilli i Ministrave ka konkretizuar
dhënien e të drejtës së përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit për
shoqërinë investuese, duke detyruar Bashkinë Himarë të lidhë kontratën me to.

Kërkuesit pretendojnë se dhënia e pasurisë publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi i veprimtarive
fitimprurëse, është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore, që ndalojnë
deputetin dhe për efekt të ligjit bashkëshortin e tij, të përfitojë pasuri të shtetit apo të kryejë
veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuritë e shtetit. Sipas kërkuesve ndodhemi para një
shkelje të rëndë të ligjit, që passjell mbarimin/pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit
71/2/c të Kushtetutës si dhe i referohen dispozitave kushtetuese dhe ligjore ku e mbeshtesin
mocionin e tyre si dhe jurispudencës të Gjykatës Kushtetuese.

Neni 70/2 i Kushtetutës parashikon ndalimin e ushtrimit të funksioneve të tjera nga deputeti
menjehere pasi merr mandatin e deputetit. Neni 70/3 e konsideron të papajtueshme me
funksionin e deputetit ushtrimin e “veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose
e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndalimet e tjera parashikohen me ligje të
posaçme.

Neni 70/3 sic shprehet edhe Gjykata Kushtetutese në jurisprudencën e saj, nuk mund të lexohet e
shkëputur nga përmbajtja e nenit 70 në tërësinë e tij, i cili edhe pse në thelb ka për qëllim
shmangien e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, për sa u takon rregullave,
mjeteve, mënyrave, procedurave, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, deklarimin,
regjistrimin, trajtimin, zgjidhjen dhe dënimin e rasteve të konfliktit të interesit, referon te ligji
nr.9367/2005.

Ligji nr. 9367/2005 parashikon shprehimisht në nenin 35 të tij se “në rast se aksionet apo pjesët
në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (që sipas ligjit është bashkëshorti),
ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit. Për pasojë, në kuptim të
ligjit dhe për efekt të zbatimit të ndalimit kushtetues/ligjor, shoqëria tregtare AG. TCC shpk
konsiderohet në pronësi të vetë ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka. Për pasojë, përfitimet
nga pasuria e shtetit, që burojnë nga vendimi nr. 3/5, datë 29/03/2021 “Për miratimin e statusit
“investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES
LUXURY SUITES”, janë përfitime të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka.

Sipas kërkuesve shoqëria tregtare AG. TCC shpk ka përfituar të drejtën për të kryer veprimtari
fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit dhe pushtetit vendor, nëpërmjet ofrimit të
shërbimeve në fushën e turizimit, në kohën në të cilën ka ushtruar mandatin e deputetit. Ky fakt
bie ndesh me ndalimin kushtetues të parashikuar nga neni 70/2-3 i Kushtetutës dhe është

9
tërësisht i mjaftueshëm për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit për znj. Olta
Xhacka.

Kërkuesit në mocion pretendojnë se edhe në referim të ligjit Nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për
pronat e paluajtshme të shtetit”, i ndryshuar, lejimi i përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës
përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në funksion të realizimit të projektit investues strategjik
“Dreamades Luxury Suites”, Gjilekë, Himarë, nga ana e shoqërisë tregtare AG. TCC shpk
nënkupton që ajo do të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit, duke sjellë
dhe reduktim të vlerës së TVSH-së, që janë të ardhura të Buxhetit të Shtetit.

Zotërimi i aksioneve në shoqërinë AG. TCC shpk, duke mos respektuar ndalimet ligjore, sipas
kërkuesve përbën shkelje flagrante të ndalimit të parashikuar nga shkronja “a” e nenit 28 të ligjit
nr. 9367/2005, duke çuar në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, të parashikuara
me ligj, edhe në kuptim të nenit 70/2 të Kushtetutës.

Në bazë të nenit 71/1 të Kushtetutës, deputetja znj. Olta Xhacka sipas kërkuesve kishte detyrimin
që në momentin e shpalljes së saj fituese nga KQZ-ja të shmangte çdo rast të papajtueshmërisë,
duke përfshirë ndalimin e përfitimit të fondeve publike nga shoqëria tregtare, por edhe
papajtueshmërinë e parashikuar në dispozitat e ligjit nr. 9367/2005. Deputeti ka përgjegjësi
individuale për ushtrimin e detyrës së tij dhe nuk mund të justifikojë veprimet e tij jokushtetuese
me situata të tjera jokushtetuese apo joligjore. Në vendimin nr. 44/2011, Gjykata Kushtetuese
është shprehur se: “Deputeti ka detyrimin që në momentin e shpalljes së rezultatit
përfundimtar të zgjedhjeve, pavarësisht se kur bën betimin, të sillet si deputet”. Një gjë e tillë
nuk ka ndodhur në rastin e deputetes znj. Olta Xhacka.

Bazuar në analizën në tërësi të dispozitave kushtetuese dhe ligjore relevante, fakteve dhe
rrethanave të çështjes, 1/10 e deputëtëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka arritur
në përfundimin se deputetja znj. Olta Xhacka është në kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara
nga neni 70/2-3 i Kushtetutës dhe dispozitat respektive të sipërcituara të ligjit nr. 9367/2005 dhe
i kërkon Kuvendit të vendosë për dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën
Kushtetuese

Dokumentet ku kërkuesit e mbështesin këtë pretendim:

1. Mocion drejtuar Kryetares së Kuvendit ku kërkohet ndjekja e procedurës


parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes
Olta Xhaçka.
2. Vendim nr. 137, datë 2.3.2022 “Për lejimin e përdorimit të Brigjeve dhe të zonës
përkatëse të plazhit përballë kompleksit në funksion të realizimit të projektit investues
strategjik “Dreamades Luxury Suites””.

10
3. Ekstrakt historik i regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit “Shoqëri me përgjegjësi
të kufizuar”. Numri unik i identifikimit të subjektit L52227046H. Emri i subjektit
AG.TCC.
4. Vendim nr. 3/5, datë 29.03.2021 “Për miratimin e statusit “Investim/investitor
strategjik procedurë e asistuar “Për projektin e investimit “Dreamades Luxury
Suites” me subjekt “AG.TCC” sh.p.k me NUIS L52227046H”.
5. Vendim nr. 3/9, datë 15.07.2021 “Për një ndryshim në vendimin nr. 3/5, datë
29.03.2021 të KIS “Për miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik procedurë
e asistuar “Për projektin e investimit “Dreamades Luxury Suites” me subjekt
“AG.TCC” sh.p.k me NUIS L52227046H”.
6. Vendim “Për lejimin e përdorimit të Brigjeve dhe të zonës përkatëse të plazhit
përballë kompleksit në funksion të realizimit të projektit investues strategjik
“Dreamades Luxury Suites””.

VI. RRETHANAT DHE ARGUMENTAT E PARASHTRUARA NGA


KËRKUESIT E MOCIONIT TË 1/10 TË DEPUTETËVE OPOZITARË

Kërkuesit vlerësojnë se deputetja dhe ministrja Olta Xhaçka jo vetëm që ka shkelur përcaktimet e
paragrafit të 2, të nenit 70 të Kushtetutës, duke shkelur dispozitat ligjore të posaçme për
konfliktin e interesit, por ajo ka shkelur në mënyrë flagrante përcaktimet e paragrafit 3 të kësaj
dispozite kushtetuese duke përfituar të ardhura apo përfitime të tjera materiale nga ushtrimi i një
veprimtarie fitimprurëse që buron nga pasuritë/të mirat publike.

Sipas kërkuesve, paragrafi 2 i nenit 70 të Kushtetutës ia ka deleguar ligjeve të tjera të posaçme


rastet e përcaktimit të papajtueshmërisë; në paragrafin 3 të tij, ka preferuar ta vendosë ndalimin
në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e
aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit.

Nëse deputeti përveç pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte edhe të ardhura të tjera
nga buxheti i shtetit për shkak të një veprimtarie private ateherë do të cënoheshin një nga
parimet bazë të përcaktuar në Kushtetutë, e cila është ajo e shpërblimit të vetëm për shkak të
detyrës publike.

Në këtë analizë, kërkuesit i janë referuar jurispudencës së Gjykatës Kushtetuese vendimeve nr.
7/2016 dhe 32/2016 të Gjykatës Kushtetuese.

Në rastin konkret sipas kërkuesve, detyra e deputetes Znj. Olta Xhaçka nuk ka papajtueshmëri
me detyrën në një organ apo subjekt privat por për shkak se subjekti privat i zotëruar nga
bashkëshorti ka ndërvepruar me organe shtetërore, duke përfituar disa të drejta dhe të mira
publike, pikërisht nga veprimtaria e organeve publike, me qëllim ushtrimin e aktivitetit
fitimprurës për të cilin kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.

11
Duke iu referuar dispozitave ligjore që rregullojnë regjimin pasuror martesor në lidhje me këtë
aspekt, kërkuesit e konsiderojnë se veprimtaria tregtare e bashkëshortit të deputetes Olta Xhaçka,
për ndërtimin e një kompleksi turistik, konsiderohet si një veprimtari tregtare e inicuar pas
martesës ku përfituese është dhe deputetja Olta Xhaçka, e cila do të përfitojë të ardhura nga kjo
veprimtari fitimprurëse që buron nga prona shtetërore.

Për kërkuesit, Gjykata Kushtetuese duhet të analizojë faktin nëse do të jemi në kushtet e
përcaktimeve të nenit 70, paragrafi 3, të Kushtetutës në rastin kur nuk është deputeti drejtpërdrejt
ai që përfiton nga fondet publike apo të mirat publike, por është bashkëshorti që përfiton këto të
ardhura, gjatë regjimit pasuror martesor të bashkësisë ligjore, pra edhe në rastin kur përfitimet
nga të mirat publike të deputetit nuk vijnë drejtpërsëdrejti, por nga bashkëshorti i saj.

Kërkuesit paraqitën disa rrethana dhe fakte si më poshtë:


- Olta Xhacka është deputete e tre legjislaturave (VIII, IX dhe X);
- Është e provuar që deputetja Olta Xhacka është e martuar me shtetasin Artan Gaçi ( regjistri i
gjëndjes civile );
- Nga regjistri tregtar ku rezulton se shtetasi Artan Gaci në kohën që ka qënë deputet i Partisë
Socialiste, më datë 21.10.2015, si ortak i vetëm ka themeluar shoqërinë tregtare”AG.TÇ”sh.p.k.
dhe ky subjekt tregtar me vendimin nr. 21, datë 28.07.2020 të Këshillit Kombëtar të Territorit ka
përfituar një leje ndërtimi për objekt “Resort turistik”Dreamades Luxury Suits” me vendndodhje
në fshatin Gjilekë, Bashkia Himarë”.
- Më datë 29.03.2021, me vendimin nr 3/5 të Komitetit të Investimeve Strategjike, subjekti
tregtar i mësipërm, i cili është në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka, ka
përfituar,sipas përcaktimeve të ligjit 55/2015”Për investimet strategjike në Republikën e
Shqipërisë” i ndryshuar Statusin e Investitorit strategjik për projektin e investimit”Dreamades
Luxury Suites”. Nga ky vendim ky subjelt përfiton përdorimin e bregdetit për 30-vjet, masa
mbështetëse në kryerjen e procedurave ligjore, masa mbështetëse në lidhje me miratimin e lejeve
përkatëse, masa mbështetëse për konsolidimin e tokës dhe pronës ku do të zhvillohet projekti,
akseset në infrastrukturën publike etj.
- Deputetja Olta Xhacka për të shmangur konfliktin e pastër të interesit apo përfitimet e
drejtpërdrejta, ka përfshirë persona fiktivë me kontrata fiktive dhe marrëveshje të simuluara, ka
bërë të mundur ndryshimin e vendinmit nr. 3/5, datë 29.03.2021 të Komitetit të Investimeve
Strategjike, duke u përpjekur t’i kalojë statusin e investitorit strategjik, me vendimin nr 3/9, datë
15.07.2021, shoqërisë me të njëjtin emër, në pronësi të shtetases Taëni Lin Grzych-Suton, e cila
është bashkëjetuesja e vëllait të deputetes Olta Xhaçka e themeluar vetëm 20 ditë para se të
fitonte statusin e investitorit strategjk.

Sipas kërkuesve, nisur nga rrethanat e faktet e sipërcituara përfituesi i drejtpërdretë i të mirave që
burojnë nga statusi i investitorit strategjik, është bashkëshorti i deputetes, pra rrjedhimisht
familja Xhaçka.

12
Kërkuesit parashtruan se, nga analizimi i vendimit nr. 3/5, datë 29.03.2021 të Komitetit të
Investimeve Strategjike, rezulton se subjekti tregtar në pronësi të bashkëshortit të deputetes, do
të përfitojë si më poshtë:
- përdorimin me qëllim kryerjen e nje veprimtarie fitimprurëse për 30 vjet të brigjeve të detit, e
cila është pasuri publike e patjetërsueshme;
- mbështetje për kryerjen e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, pra
duke kursyer kohë dhe të ardhura, si pasojë e shfrytëzimit të burimeve njerëzore dhe monetare
shtetërore;
- asistencë mbështetese në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme
për realizimin e projektit, e cila nënkupton asistencën e organeve shtetërore të cilët paguhen nga
taksapaguesit;
- mbështetje për konsolidimin e tokës në pronësi ku do të zhvillohet projekti që nënkupton
ristrukturimin e planifikuar të parcelave, ndryshimin e regjimit juridik dhe shfrytëzimit të tokës
duke përdorur tokë shtetërore apo tokë private si pasojë e shpronësimeve nga shteti, në favor të
investitorit;
- akses në infrastrukturë, ku sipas legjislacionit shqiptar nënkupton shfrytëzimin e pasurive
publike për arritjen e qëllimit tregtar, interesi vetjak si në rrjetin e kanalizimeve, të
telekomunikacionit, rrjetin rrugor, të energjitikës etj;
- procesin e regjistrimit fillestar të zonës nga organet shtetërore në mënyrë falas dhe me
procedurë të përshpejtuar.

Kërkuesit në mocionin e tyre drejtuar Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin,
vlerësojnë se deputetja Olta Xhaçka nëpërmjet bashkëshortit të saj, në kuadrin e cilësisë së
posaçme që ajo ka për regjimin pasuror, ka përfituar drejtpërdrejt nga pasuria shtetërore sikundër
dhe ka kursyer duke shfrytëzuar pasuritë shtetërore.

Kërkuesit pretendojnë se është Gjykata Kushtetuese e cila do të intepretojë dispozitën


kushtetuese, duke ju referuar rastit konkret, në lidhje me konceptin e përfitimit nga aktivitetet
fitimprurës, duke analizuar konceptin e përfitimit të të mirave publike apo pasurive publike të
patjetërsueshme, sikundër dhe konceptin juridik të kursimit, i cili në vlerësimin e kërkuesve
lidhet pazgjidhshmërisht me përfitimin.

Për sa kanë parashtruar në mocion, kërkuesit kërkojnë fillimin e ndjekjes së procedurës


parlamentare për marrjen e vendimit të Kuvendit për përcjelljen e kësaj kërkese Gjykatës
Kushtetuese me objekt konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes
Olta Anxhelo Xhaçka

Dokumentet ku kërkuesit e mbështesin këtë pretendim:

13
1. Ekstrakt historik i regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit “Shoqëri me përgjegjësi të
kufizuar”. Numri unik i identifikimit të subjektit M11825022K. Emri i subjektit AGTCC
HOTEL MANAGEMENT.
2. Ekstrakt historik i regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit “Shoqëri me përgjegjësi të
kufizuar”. Numri unik i identifikimit të subjektit L52227046H. Emri i subjektit AG.TCC.
3. Artikull i botuar nga Report.al “Investimi strategjik: “Plazhi në Dhërmi u përfitua nga
‘kunata” e ministres Xhaçka”.
4. Shtojca A “Statuti i shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “Elite Brokers 2020 sh.p.k, datë
16.11.2020”.
5. Akti i themelimit i shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “Elite Brokers 2020 sh.p.k, datë
16.11.2020”.
6. Akti i themelimit dhe statuti i shoqërisë AGTCC HOTEL MANAGEMENT sh.p.k.
7. Vendim “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës
së Shqipërisë të datës 25.4.2021”.
8. Argumentet e votës kundër për aktin “Për miratimin e rezultatit përfundimtar të
zgjedhjeve për Kuvend të datës 21 prill 2021 i anëtarëve të Komisionit Rregullator.
9. Vendim nr. 21, datë 28.7.2020 “ për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Resort
turistik “Dreamades Luxury Suites”, 1-2-2 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë me
vendndodhje në fshatin Gjilekë, Bashkia Himarë”
10. Vendim nr. 3/5, datë 29.03.2021 “Për miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik
procedurë e asistuar “Për projektin e investimit “Dreamades Luxury Suites” me subjekt
“AG.TCC” sh.p.k me NUIS L52227046H”.
11. Vendim nr. 3/9, datë 15.07.2021 “Për një ndryshim në vendimin nr. 3/5, datë 29.03.2021
të KIS “Për miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik procedurë e asistuar “Për
projektin e investimit “Dreamades Luxury Suites” me subjekt “AG.TCC” sh.p.k me
NUIS L52227046H”.

VII. SHQYRTIMI NË KËSHILLIN E RREGULLORES, MANDATEVE DHE


IMUNITETIT TË DY MOCIONE TË DEPOZITUARA

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e datës 24 qershor 2022, thirrur
nga Kryetarja e Kuvendit dhe në mbledhjet e datave 1.07.2022, 8.07.2022, 15.07.2022,
17.09.2022, __.10.2022, mori në shqyrtim të dy mocionet me objekt:" Ndjekja e procedurës
parlamentare për konstatimin e pavlefshëmrisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes znj. Olta
Xhaçka”.

Deputeti Saimir Koreshi parashtroi mocionin nr......., datë ..........., dhe së bashku me deputetët
kërkues që morën fjalën në mbledhje, përsëritën qëndrimin e tyre në lidhje me kërkesën duke
parashtruar po ato fakte dhe argumente të paraqitura në kërkesë. Për Deputetet kërkues të grupit
parlamentar të Partisë Demokratike, Këshilli duhet të verifikojë ekzistencën e elementëve
formale dhe duhet t’i kërkojë Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, si i vetmi

14
institucion që duhet të shprehet në lidhje me papajtueshmërinë dhe mandatin e deputetes Olta
Xhaçka

Deputeti Agron Shehaj, parashtroi në emër të 15 deputetëve opozitarë mocionin datë 01.07.2022,
Për deputetët firmëtare në thelb dy kërkesat e paraqitura kanë të njëjtin qëllim dhe i sugjeroi
Këshillit se ato nga pikëpamja ligjore dhe juridike janë të bazuara dhe duhen dërguar para
Gjykatës Kushtetuese. Në parashtrimet e tij në lidhje me kërkesen për mocion parashtroi dhe
dallimet e kërkesës së tyre nga kërkesa për mocion e depozituar nga 1/10 e deputetëve të grupit
parlamentar të Partisë Demokratike. Për deputetin Agron Shehaj, dhe deputetët firmëtare të
kërkesës për mocion, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk ka tagrin për të
shqyrtuar në themel kërkesën, por vetëm plotësimin e kritereve formale të saj.

Deputeti Gazmend Bardhi sqaroi detyrimin e Kuvendit që të zbatojë vendimin nr. 7/2016 të
Gjykatës Kushtetuese, e cila ka bërë interpretim të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës. Sipas
deputetit z. Gazmend Bardhi, Kuvendi nuk ka asnjë rrugë tjetër, merr mocionin, merr provat që
janë bashkëlidhur, kontrollon nëse janë apo jo 14 firmat dhe ia çon çështjen për shqyrtim
Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe nga sa diskutuan deputetët e opozitës, deputetët e mazhorancës anëtarë të këtij


Komisioni, shprehën opinionin e tyre në lidhje me verifikimin e kritereve formale të cilat janë
kompetencë e Këshillit të Rregullores Mandateve dhe Imunitetit dhe nëse këto kritere formale
përbëjnë ose jo një çështje për t’u dërguar Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti z. Taulant Balla në diskutimin e tij ju referua pretendimeve të kërkuesve, duke


konstatuar mungesën në to të fakteve që deputetja znj. Olta Xhacka ka përfituar nga fondet
publike dhe theksoi se “…kërkesa nuk është e bazuar në parashikimin e Kushtetutës, sepse në të
gjitha rastet, kur i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit në doktrinën e vet të
përcaktuar për këtë rast ka sanksionuar dhe ka kërkuar nga kërkuesi apo institucionet e tjera
vlerësimin e përfitimit.”

Deputetja, znj. Klotilda Bushka në diskutimin e saj iu referua Kushtetutës dhe Rregullores së
Kuvendit, e cila i jep kompetencë Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit të shikojë
elementët formalë dhe pa i hyrë thelbit të çështjes të shikojë nëse jemi para rastit kur kemi
detyrimin ta dërgojmë një çështje në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Znj. Klotilda Bushka, në
referim të jurispudencës të Gjykatës Kushtetuese, vendimit nr. 93, datë 17.05.2017“Bazuar në
pikën 4, të nenit 70 të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, kolegji vëren se Gjykata ka
juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë në mandatin për shkeljen e paragrafit 3,
të nenit 70 të Kushtetutës, kur vetë deputeti, me veprimet e tij, shkel ndalimin kushtetues,
parashikuar në këtë dispozitë.”

Deputetja, znj.Ermonela Falaj, në diskutimin e saj iu referua Rregullores së Kuvendit e cila


parashikon shqyrtimin e kërkesave të kësaj natyre në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe

15
Imunitetin dhe siguron zhvillimin e nje procesi ku të shqyrtohet kërkesa, të analizohen faktet për
të verifikuar ekzistencën e kritereve formale si dhe për t’i dhënë mundësi që të dëgjohen
kërkuesit, të dëgjohet deputetja e të shprehet Kuvendi.

VIII. PARASHTRIMET E DEPUTETES OLTA XHACKA PARA KËSHILLIT TË


RREGULLORES, MANDATEVE DHE IMUNITETIT

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit në respektim të parimit kushetues për një proces
të rregullt ligjor, në mbledhjen e datës 1.07.2022, vendosi të njoftojë deputeten Olta Xhaçka nëse
do të ushtronte të drejtën për t’u dëgjuar para Këshillit në lidhje me kërkesat për mocionet e
paraqitura nga deputetët e opozitës.
Në mbledhjen e datës 08.07.2022, deputetja Olta Xhacka nëpërmjet avokatit të zgjedhur prej saj
z. Genc Çifliku, parashtroi para Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin fakte dhe
argumente në lidhje me sa pretendonin kërkuesit e mocionit paraqitur nga deputetët e Partisë
Demokratike.

Në parashtrimet e tij, avokati Genc Çifliku analizoi kriteret formale të verifikimeve që kryhen
nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe më pas analizoi themelin e kërkesës:

I. Kriteri formal i verifikimeve që kryhen nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet


dhe Imunitetet
Në analizën e kritereve formalë, avokati i referohet nenit 119/1 të Rregullores të Kuvendit e cila
parashikon në mënyrë të detajuar procedurën që ndiqet nga ana e Kuvendit për konstatimin e
kufizimeve. Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet bën
verifikimin nëse mocioni i paraqitur ndaj një deputeti të cilit, i kërkohet t'i ndërpritet mandati për
shkaqet e parashikuara në nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, plotëson kërkesat juridiko-formale, siç
janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin
mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti, verifikon nëse
mocioni plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës për
vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për respektimin e procedurës
parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare, në përputhje me parashikimet e
Rregullores së tij.

Nisur nga përmbajtja e pikës 3 dhe 4 të nenit 70 të Kushtetutës, në to parashikohet për rastin, se
kur Kuvendi i kërkon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për pavlefshmërinë apo mbarimin e
mandatit të një deputeti. Sipas këtyre pikave parashikohet se Kuvendi i drejtohet Gjykatës
Kushtetuese vetëm në ato raste kur pretendohet për papajtueshmëri të mandatit si pasojë e
shkeljeve vetëm të paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel
ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse ai vetë kryen veprimtari
fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre
organeve.
16
Vetëm në lidhje me këtë ndalim kushtetutëbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës
Kushtetuese, sipas paragrafit 4 të nenit 70, e cila në raste të tilla është organi që ka juridiksionin
dhe kompetencën për të shqyrtuar në themel çështjen. E drejta e Kuvendit për të kërkuar
konstatimin e pavlefshmërisë/mbarimit të mandati të deputetit nuk është e një e drejtë e
palimituar. Vetëm për çdo shkelje, të pretenduar se është kryer në kundërshtim me parashikimet
e paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës
së anëtarëve të tij, Kuvendi ka të drejtë të vendosë për dërgimin e çështjes në Gjykatën
Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

Në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, deputeti nuk mund të kryejë ndonjë veprimtari
fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre.
Gjykata Kushtetuese më vendimin e saj nr. 32, datë 03.06.2016 shprehet se “Nëse deputeti
përveç pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte edhe të ardhura të tjera nga buxheti i
shtetit për shkak të profesionit të tij primar, atëherë ky parim do të cenohej. Kjo i shërben
parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe parimit të demokracisë, ku çdo funksionar
publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është
zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë.”4

Pra, vetë deputeti nuk duhet të ketë apo ushtrojë ndonjë lloj veprimtarie fitimprurëse që buron
nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre të fundit. Pika 3 e
nenit 70 të Kushtetutës është e qartë. Nisur nga përmbajtja e pikave 3 dhe 4 të nenit 70 të
Kushtetutës, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese me Vendim nr. 93 datë 17.05.2016 (vendim ky për
shpalljen e moskompetencës së Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmërinë/mbarimin e mandatit të
një deputeteje) është shprehur se, sipas pikës 3 të Kushtetutës, që Kuvendi të kërkojë
pavlefshmërinë apo mbarimin e mandatit të deputetit duhet që shkelja e pikës 3 të nenit 70
të jetë kryer nga vetë deputetit dhe jo personat e lidhur me të.

Sipas këtij interpretimi, që vetë Gjykata Kushtetuese i ka bërë pikave 3 dhe 4 të nenit 70 të
Kushtetutës, nisja e procedurës për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me ato raste,
kur vetë deputeti nëpërmjet veprimeve të tij aktive ka shkelur këtë ndalim kushtetues ,
duke ushtruar ai vetë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor
apo të ketë fituar pasuri prej këtyre të fundit. Ndërsa sipas paragrafit 2 të nenit 70, Kushtetuta
jonë ua ka deleguar ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë, në pikën 3 të kësaj dispozite,
kushtetutëbërësi ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të
papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat
nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit.5

Kërkesa për mocion për ndjekjen e procedurës për pavlefshmëri/mbarim mandati i referohet
paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës dhe neneve 21 dhe 24 të ligjit nr. 9367/2005, për shkak se

4
Vendimi 32, datë 03.06.2016 i Gjykatës Kushtetuese, fq. 9
5
Vendim nr. 7 datë 24.02.2016 i Gjykatës Kushtetuese
17
shoqëria në pronësi të bashkëshortit të deputetes ka marrë statusin e investitorit strategjik në
turizëm dhe po kështu për shkak të dhënies së të drejtës për përdorimin e bregut të detit. Rastet e
parashikuara në pikën 2 të nenit 70 të Kushtetutës nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës
Kushtetuese dhe për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të kërkojë për të dërguar çështjen në Gjykatën
Kushtetuese për këto raste. Sipas provave dhe parashtrimeve të mëposhtme, rezulton se deputetja
znj. Olta Xhaçka nuk ka përfituar asnjë pasuri të shtetit apo të pushtetit vendor gjatë gjithë kohës
që ajo ka një mandat të vlefshëm deputeti.
Me vendimin Nr. 7 datë 24.02.2016 Gjykata Kushtetuese është shprehur se:“Në të tilla raste
Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon nëse mocioni i
paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e
dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes
së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret kushtetuese të
parashikuara në pikën 3 të nenit 70 për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si dhe
kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare, në
përputhje me parashikimet e Rregullores së tij.”6

Një nga detyrimet që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese mbi detyrimet e Këshillit të


Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve në procedurën për konstatimin e pavlefshmërisë dhe
mbarimit të mandatit të mandatit të deputetit, është verifikimi nëse mocioni i kërkuar plotëson
kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70, me qëllim sipas pikës 4 të po
këtij neni vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese për të konstatuar pavlefshmërinë apo
mbarimin e mandatit të deputetit.

Në këtë kuptim, duhet të verifikohet nga pikëpamja formale prej Këshillit për Rregulloren,
Mandatet dhe Imunitetet (duke marrë në konsideratë edhe përmbajtjen e vendimit nr. 93 datë
17.05.2016 të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese) që nëse është vetë deputeti ai që ka kryer
veprime aktive për të ushtruar një veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e
pushtetit vendor, si dhe a ka fituar ai vetë pasuri prej këtyre organeve publike apo jo.

Gjykata Kushtetuese ka mbajtur qëndrim, se Kuvendi vetë nuk ka aftësi të gjykojë mbi
meritën nëse mandati i një deputeti ka mbaruar apo është i pavlefshëm. Në kuptim të pikave
3 dhe 4 të nenit 70 është Gjykata Kushtetuese, ajo që e konstaton një fakt të tillë, por kjo Gjykatë
sipas Kushtetutës ka juridiksion vetëm nëse pavlefshmëria apo mbarimi i mandatit të deputetit
është pasojë e një shkelje të kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vetë deputeti dhe jo nga
personat e lidhur me të.

Në të gjithë parashtrimet e bëra në mocionin, rezulton se shkeljet e pretenduara nuk janë kryer
nga vetë deputetja znj. Olta Xhaçka dhe në jurisprudencën e konsoliduar nga Gjykata
Kushtetuese, (vendimi 7/2017 i Gjykatës Kushtetuese dhe vendim i 93/2016 i Kolegjit të

6
Vendim nr. 7 datë 24.02.2016 i Gjykatës Kushtetuese, fq.14

18
Gjykatës Kushtetuese) duhet që Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet të verifikojë
nëse mocioni plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 për vënien
në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese. Nga të gjitha provat bashkangjitur mocionit nuk provohet, që
deputetja znj. Olta Xhaçka të ketë kryer vetë veprime, të cilat të kenë sjellë për pasojë ushtrimin
prej saj të veprimtarisë fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as
të ketë fituar pasuri të këtyre të fundit.

Në këto kushte nga pikëpamja formale, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, si
organi që sipas arsyetimit të dhënë me Vendimin nr. 7/2016 të Gjykatës Kushtetuese ka për
detyrë ndër të tjera të verifikojë edhe plotësimin e kritereve kushtetuese të parashikuara në pikën
3 të nenit 70, nuk mund të konsiderojë si shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës ato
veprime, të cilat nuk janë kryer nga vetë deputeti.

Për të verifikuar kërkesat e pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës përpara Këshillit për Rregulloren,
Mandatet dhe Imunitetet duhet të shtrohen pyetjet:
- A po ushtron Deputetja Olta Xhaçka gjatë kohëzgjatjes së mandatit të saj veprimtari
fitimprurëse me fonde të buxheti të shtetit, apo që burojnë nga pasuria e shtetit ose e
pushtetit vendor?
- A ka fituar Deputetja Olta Xhaçka, gjatë kohëzgjatjes së mandatit të saj, ndonjë pasuri
nga ana e shtetit përfshirë këtu dhe pushtetin vendor?

Në përgjigje të këtyre pyetjeve mbështetur në provat e paraqitura bashkangjitur mocionit nuk


provohet se:
i. Deputetja Olta Xhaçka të ketë ushtruar vetë gjatë kohëzgjatjes së mandatit të saj si
deputete ndonjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit
vendor; dhe
ii. ajo të ketë fituar ndonjë pasuri publike prej shtetit apo pushtetit vendor.
Sa më sipër dhe nga sa konstatohet në provat bashkëngjitur mocionit, nuk rezulton e provuar, se
deputetja Olta Xhaçka është në kushtet e pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës. Në rastin konkret,
shoqëria “AG TCC” shpk me vendimin nr. 3/5, datë 29.3.2021 të Komitetit të Investimeve
Strategjike, ka marrë statusin “Investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e
investimit “Dreamades Luxyry Suites” pasi ka plotësuar kërkesat ligjore. Sipas këtij vendimi
rezulton ndër të tjera se ky subjekt, do të realizojë projektin në një sipërfaqe zhvillimi prej
10.592 m2 në ZK 1739 dhe 1481 në Gjilekë, Bashkia Himarë, sipërfaqe e cila është tërësisht në
pronë private.
Po kështu, nga rrethanat e faktit, rezulton e provuar se shoqëria “AG TCC” shpk nuk është
subjekti që do të përdorë e shfrytëzojë brigjet e detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë
kompleksit (të cilat bëjnë pjesë në pronat e paluajtshme publike) por, është subjekti “AG TCC
HOTEL MANAGEMENT” Shpk me NUIS M11825022K, si investitori strategjik që do të lidhë
kontratën përkatëse, në përputhje me sipërfaqet dhe destinacionin e kërkuar nga subjekti të
19
lejuara me vendimin nr. 3/5, datë 29.03.2021 të KIS të ndryshuar dhe të konfirmuara më tej nga
Bashkia Himarë.
Në këtë kuptim nuk është shoqëria, kuotat e së cilës zotërohen nga bashkëshorti i deputetes, ajo
të cilës me VKM nr. 137, datë 2.3.2022 “Për lejimin e përdorimit të brigjeve dhe të zonës
përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në funksion të realizimit të projektit investues strategjik
“Dreamades Luxury Suites”, i është njohur e drejta e përdorimit, por një subjekt tjetër, i cili të
ketë përfituar të drejtën e përdorimit të bregut të detit dhe plazhit.

Pra, në vështrim të urdhërimeve të dispozitës kushtetuese, në rastin konkret veprimtaria


fitimprurëse e bashkëshortit të deputetes nuk rezulton të burojë nga pasuria e shtetit ose e
pushtetit vendor, pasi jo vetëm nuk ekziston ende asnjë kontratë apo nënkontratë midis shoqërisë
“AG.TCC” shpk dhe një institucioni publik, por referuar vendimit të KIS nr. 3/5 datë 29.3.2021,
nuk parashikohet të ketë as në të ardhmen, asnjë marrëdhënie kontraktuale nga e cila ky subjekt
të përfitojë nga pasuria publike. Këtë marrëdhënie kontraktuale mund ta krijojë shoqëria tjetër
“AGTCC HOTEL MANAGEMENT” shpk, e cila është një subjekt tjetër që ka marrëdhënie
kontraktore me shoqërinë, ku bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka zotëron kuota e saj.

Pretendimi për konstatimin e pavlefshmërisë apo mbarimit të mandatit për shkak të konfliktit të
interesit sipas parashikimeve të pikës 2 të nenit 70 të Kushtetutës, nuk është një çështje e cila
përfshihet në juridiksion e Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë nuk mund të pranohet të
miratohet një mocion që kërkon vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese sipas pikës 4 të nenit
70 të Kushtetutës, kur mocioni mbështet në argumenta, se ndodhemi përpara rasteve të
parashikuar në pikën 2 të tij.

Sipas pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës sanksionohet parimi, se deputetët nuk mund të kryejnë
vetë ndonjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të
fitojnë pasuri të këtyre. Kurse sipas pikës 4 të po këtij neni: “Për çdo shkelje të paragrafit 3 të
këtij neni, me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi
vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”

Duhet të provohet fakti nëse deputeti ndodhet në kushtet e pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës për
të vijuar me procedurën për kërkim në Gjykatën Kushtetuese të konstatimit të
pavlefshmërisë/mbarimit të mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka. Marrja si shembull në këtë
mocion e precedentit të krijuar me rastet e deputeteve Ilir Beqja dhe Koço Kokëdhima nuk asnjë
lidhje me pretendimet për pavlefshmëri/mbarim të mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka.
Kështu rasti i parë ka të bëjë më faktin, se cili është momenti, se kur deputeti e merr mandatin
dhe, rasti i dytë ka lidhje me veprime direkte nga deputeti për ushtrim veprimtarie fitimprurëse
nga fonde të buxhetit të shtetit prej shoqërisë në pronësi të deputetit.
Pretendimi i parashtruar në mocion konsiston në mënyrën sesi dispozitat kushtetuese, neni 70,
interpretohet prej tyre. Ne nuk vëmë aspak në diskutim qëllimin e ligjshëm të ligjvënësit në
përcaktimin e atyre kushteve, të cilat konsistojnë në papajtueshmëri të mandatit të deputetit.

20
Gjithashtu, në këto parashtrime avokati thelson se nuk po vë në diskutim rëndësinë dhe
rreptësinë e sanksionit – humbje e mandatit të deputetit- të parashikuar nëse vërtetohet sjellja e
parashikuar në nenin 70, por pikërisht duke patur parasysh këtë ndërhyrje theksohet detyrimi
primar i organeve zbatuese të dispozitës kushtetuese (Këshilli Për Rregulloren, Mandatet dhe
Imunitetet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykata Kushtetuese) për të siguruar zbatimin e
parashikimeve të pikës 3 nenit të 70 të Kushtetutës në rastin konkret, por edhe vërtetimin në
formë apo themel të sjelljes së ndaluar (mbajtja e funksionit publik apo realizimi i përfitimit).

Mënyra e parashtruar në mocionin e grupit të deputetëve konsiston në një devijim të


parashikimeve të nenit 70 te Kushtetutës, pasi është interpretuar në mënyrë të zgjeruar duke
shkelur qëllimin e ligjvënësit shqiptar, dhe detyrimet e shtetit shqiptare për të siguruar
respektimin e thelbit të nenit 3 të Protokollit nr 1 të Konventës, sipas së cilit diskualifikimi i
mandatit të deputetit duhet të jetë si analiza e fundit e një konflikti interesash dhe se duke
konsistuar në një kufizim të drejtash me karakter civil dhe politik ai duhet të jetë i bazuar ne një
ligj të qartë dhe përtej çdo interpretimi abuzive, i cili do të çonte në mohim të thelbit të nenit 3 të
Protokollit 1 të Koventës.

Argumentat e ngritura në këtë mocion në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit të


znj Olta Xhacka, janë të përgjithshme dhe lënë hapësira për interpretime të gjera dhe abuzive, të
cilat mund të çojnë në cënim të thelbit të së drejtave të garantuara nga neni 3 i Protokollit 1 të
Konventës. Gjithashtu, në praktikën e saj Gjykata Kushtetuese nuk ka kryer një interpretim
ezaustiv të qëllimit të ligjvënësit dhe sqarimit të situatës në rastin konkret.

Kështu si parashtrohet më lart parashikimet e nenit 70/3 i drejtohen “deputetëve” dhe


parashtrojnë papajtueshmëri kushtetuese të funksionit të deputetit në lidhje me sjelljen e saj/tij që
konsiston në “përfitim nga fonde publike” apo pasuri publike.

Kështu, në dispozitat ligjore apo edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk ka referenca në
lidhje me pajtueshmërinë ose jo të funksionit të deputetit me mbajtjen e funksioneve ne sektorin
privat nga ana e familjarëve të tyre, ashtu siç vihet re qartë në shumicën e vendeve të Këshillit të
Evropës.
Kështu, nëse i referohemi parashikimeve të nenit 70 të Kushtetutës, deputeti në mënyrë që të
mos humb mandatin e tij duhet të rregulloj sjelljen e tij në mos mbajtjen e funksioneve publike të
ndryshme nga ato të anëtarit të Këshillit të Ministrave si dhe të mos përfitoj konkretisht Ai/Ajo
nga fondet publik. Por në asnjë dispozitë të parashikimeve kushtetuese apo ligjore nuk ka
rregullime, që nga një anë barazojnë sjelljen e familjarit të deputetit, qoftë bashkëshorti në regjim
pasuror martesor të bashkuar apo të ndarë, me sjelljen e deputetit të mandatuar nga elektorati i tij
(jo se është familjar apo bashkëshort i dikujt) për atë çka ai përfaqëson personalisht apo nga ana
tjetër të mund të cënojnë të drejtën e tij për tu zgjedhur me prezumimin se në të ardhmen
potencialisht bashkëshorti i deputetit do mund të ketë përfitime.

21
Nuk vihet në diskutim në këtë çështje fakti se ligjvënësi në parashikimet e nenit 70 të
Kushtetutës ka vënë kushte në sjelljen e secilit deputet, por në këto parashikime nuk merret
parasysh sjellja apo kushtet e një entiteti tjetër të ndryshëm nga deputeti, si në rastin konkret ajo
e një shoqërie tregtare, qoftë me ortak/aksionar bashkëshortin e deputetes.

Kështu, është evidente se zbatimi i parashikimeve të nenit 70 në subjekte të ndryshme nga


deputetet është jo vetëm një interpretim i zgjeruar i qëllimit të ligjvënësit, por ajo në kushtet e
mungesës së qartësisë mund të çojë në interpretime arbitrare.

Në vazhdimin e interpretimeve të zgjeruara të nenit 70 të Kushtetutës duhet të humbi mandatin


edhe deputeti, nëse zona urbane rreth shtëpisë së tij rikualifikohet apo se edhe vetëm rruga që të
çon drejt banesës ku ka shtëpinë sistemohet me fonde publike për aq kohë sa vlera e pasurisë së
tij do të rritet disa herë si shkak i drejtpërdrejte nga përdorimi i fondit publik. Njësoj duhet të
interpretohet humbja e mandatit edhe nëse do kemi kalim pranë/për në pronën e deputetit të
rrjetit të gazit, të fibrave optike, të një rrjeti me efiçent elektrik etj. Gjithashtu në interpretime të
tilla të zgjeruara do të gjendeshim në rastet kur deputete apo bashkëshortët e tyre mund të jenë
aksionar në shoqëri ndërkombëtare të kuotuara në bursë (si shembull mund të jetë Vodafon,
Nokia, Siemens apo shoqëri të tjera të kuotuara në burse të cilat janë aktualisht fituese tenderash
në Shqipëri) të cilat shoqëri mund të fitojnë tendera publik në Shqipëri dhe ne ndarjet e
dividendëve në mënyrë indirekte do të sjellin “përfitim” të deputetit nga fondet publike.

Ashtu si Gjykata është shprehur në praktikën e saj çka mësipër do të mund te justifikohej nën
dritën e Konventës nëse ndërhyrja në të drejtën e parashikuar nga Neni 3 i Protokollit 1 do të
ishte e përcaktuar në një ligj të qartë, të parashikueshëm, i nevojshëm dhe proporcional.

Referuar sa më sipër, deputetja Olta Xhacka gjendet në të njëjtat kushte si në rastin e


çështjes Russian Conservative Party of Entrepreneurs and Others k Rusise, nos. 55066/00
and 55638/00, ECHR 2007-..., ku Gjykata gjeti shkeljen e nenit 3P1 në kushtet kur ankuesi
u sanksionua për një sjellje e cila nuk ishte e parashikuar në ligj dhe nuk ishte në
kontrollin e tyre pasi kjo ishte e një ndërhyrje jo proporcionale me qëllimin e ligjshëm që
përndiqte.

Në rastin në shqyrtim rezulton se kriteri formal i kërkuar nga Kushtetuta për të detyruar
Kuvendin që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pavlefshmëri/mbarim të mandatit
të deputetes znj. Olta Xhaçka nuk ekziston, pasi nuk provohet fakti se prej saj të jetë kryer
ndonjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të ketë
fituar pasuri të këtyre të fundit. Në këto kushte duke mos qenë përpara ndalimeve të pikës 3
Kuvendi nuk ka kompetencë të vendosë për dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese.

II. Mbi themelin e pretendimeve të konfliktit të interesit


Në përmbajtjen e mocionit pretendohet, se deputetja znj. Olta Xhaçka/bashkëshorti i saj kanë
kryer veprime të cilat bien ndesh me parashikimet pikës 2 dhe 3 të nenit 70 të Kushtetutës.
22
Sikurse thamë më sipër, në asnjë rast nuk provohet se ndodhemi në kushtet e pikës 3 të nenit 70
të Kushtetutës, Por theksojmë se nga ana e deputetes znj Olta Xhaçka apo e personave të lidhur
me të nuk janë kryer veprime të parashikuara edhe sipas pikës 2 të nenit 70 të Kushtetutës. Sipas
këtij neni parashikohet se “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër
shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë
caktohen me ligj.” Sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës rastet e tjera të papajtueshmërisë
e ka deleguar të rregullohen me ligje të posaçme.

Por edhe nëse do t’u referohemi ligjeve të posaçme referuar në përmbajtjen e mocionit nuk
rezulton se në dhënien e statusit Investitori Strategjik (procedurë e asistuar) si dhe në dhënien e
përdorimit të bregut nuk rezulton të jetë kryer ndonjë shkelje në kuptim të ligjeve të posaçme.

A. Dhënia e statusit të investitorit strategjik


Trajtimi i një subjekti, apo investimi si strategjik është në çështje e rregulluar me ligj të posaçëm.
Në vitin 2015 është miratuar ligji nr. 55/2015, “Për Investimet Strategjike në Republikën e
Shqipërisë”. Qëllimi kryesor i këtij ligji është të krijojë kushtet e favorshme dhe lehtësuese për
investitorët që investojnë në sektorët e përcaktuar si strategjikë për ekonominë shqiptare. Statusi
nuk nënkupton sipas ligjit në asnjë rast kryerje veprimtarie me fonde publike.

Është pikërisht ky ligj, i cili përcakton, se cilat janë kriteret, që duhet të plotësohen nga një
subjekt, me qëllim që ky i fundit të marrë statusin e investitorit strategjik. Sipas parimeve të
shpallur nga ky ligj, të konsideruarit të një investimi si strategjik është i lidhur ngushtë me faktin
e përputhshmërisë së investimit që do të kryhet dhe interesit publik që realizohet nëpërmjet tij.

Ky status sipas ligjit nuk konsiderohet ushtrim i veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e
shtetit ose e pushtetit vendor dhe as fitim i ndonjë pasurie nga këto organe, gjë e cila të pasjellë si
pasojë krijimin e një marrëdhënieje juridike në papajtueshmëri më funksionin apo në konflikt
interesi.
Ligji për investimet strategjike e ka parashikuar qartë, se marrja e statusit “investitor strategjik”,
në asnjë rast nuk është e lidhur me pronësinë mbi kapitalin e subjektin që kryhen
investimin.

Sipas ligjit të konsideruarit të një investimi si strategjik është e lidhur me interesin publik që
realizohet dhe që shprehet në

a) vlerën e investimit;
b) kohën e realizimit të investimit;
c) produktivitetin dhe vlerën e shtuar të investimit;
ç) hapjen e vendeve të reja të punës;
d) prioritetin ekonomik sektorial;
dh) zhvillimin ekonomik rajonal dhe lokal;

23
e) zhvillimin apo përmirësimit të kushteve dhe standardeve për prodhimin e mallrave dhe
ofrimin e shërbimeve;
ë) ofrimin e teknologjive të reja për të rritur konkurrencën dhe efektivitetin e investimit;
f) rritjen e nivelit të përgjithshëm të sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve;
g) mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit.

Pikërisht, nisur nga interesi publik sa më sipër, ligji nr. 55/2015, “Për Investimet Strategjike
në Republikën e Shqipërisë” ka përcaktuar në mënyrë shteruese, se në cilët sektorë
investimi që do të kryhet nga një subjekt, sjell për pasojë që ky i fundit të marrë statusin e
investitorit strategjik. Ligji nuk e ka lënë në dorë të interpretimeve subjektive faktin, se kush
investim apo cilit subjekt i jepet apo i refuzohet statusi i investitorit strategjik.

Në këtë kuptim, pikërisht në nenin 8 të ligji nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në
Republikën e Shqipërisë”, janë dhënë në mënyrë shteruese lista e sektorëve strategjikë. Sipas
pikës 1, shkronja “c)” e këtij neni, parashikohet se:

“1. Sektorë strategjikë, në zbatim dhe për efekt të këtij ligji, konsiderohen:
ë a); b); ]
c) sektori “Turizëm (Strukturat turistike)”;
Sa më sipër, subjektet që investojnë në turizëm nëpërmjet ngritjes së strukturave turistike, kanë
të drejtë të aplikojnë për të përfituar statusin e investitorit strategjik. Por, edhe në këtë rast ligji
përsëri në mënyrë shteruese ka përcaktuar, se cili investim në sektorin e turizmit merr
statusin e investitorit strategjik. Pra, edhe në këtë rast ligji nuk i ka lënë shteg interpretimeve
subjektive për të konsideruar apo më mirë të themi dhënien një subjekti statusin e investitorit
strategjik.
Sipas pikës 3, shkronja “c)” e nenit 8 të ligjit nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në
Republikën e Shqipërisë” ligji nuk e lidh dhënien e këtij statusi me pronësinë mbi subjektin
që do të kryejë investimin sikurse pretendohet në mocion. Statusin e investitorit strategjik
në sektorin e turizmit, sipas nenit të sipërcituar, e merr ai subjekt që plotëson njëherazi dy
kriteret që kanë të bëjnë (i) me vlerën e investimit dhe (ii) vendeve të reja të punës që
hapen për shkak të këtij investimi. Në dhënien e këtij statusi KIS (Komisioni i Investimeve
Strategjike), mbështetur në kritere të qartë ligjore si më sipër, dhe jo në interpretime subjektive,
ka konkluduar me vendimin e tij Nr. 3/5, datë 29.03.2021 t’i japë shoqërisë “AG TCC” shpk.
statusin e investitorit strategjik, procedurë e asistuar në sektorin e turizmit.
Sipas ligjit 55/2015 “Për investimet strategjike”, me procedurë të asistuar kupton ato procedura
administrative të parashikuar në këtë ligj, me të cilën administrata publike ndjek, koordinon,
asiston, mbikëqyr dhe, sipas rastit, përfaqëson investimin strategjik përgjatë fazave të zbatimit të
tij, megjithëse pjesa më e madhe e tyre janë marrë para fitimit të statusit. Në këtë kuptim qartazi
dhënia e këtij statusi nuk ka të bëjë as me ushtrim veprimtarie fitimprurëse me fonde publike dhe
as marrje në pronësi apo përdorim të pasurive publike.
24
Statusi Investitor Strategjik, procedure e asistuar është dhënë për projektin “DREAMADES
LUXURY SUITES”, për shkak të kryerjes së investimit për ngritjen e një strukturë turistike, me
vendndodhje në fshatin Gjilekë, Bashkia Himarë në një sipërfaqe totale prej 10,592 m2.
Prona, ku do të zhvillohet projekti për ngritjen e strukturës turistike, është 100% në
pronësi private, ose me të drejta zhvillimi të shoqërisë investuese AG TCC shpk.
Ky projekt plotëson të gjithë kriteret e parashtruar në ligjin për Investimet Strategjike për
përfitimin e statusit Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë, duke përfshirë të dhënat e
mëposhtme:
Pra, sa më sipër është e qartë situata, se investimi është konsideruar strategjik, vetëm për shkak
se subjekti kërkues ka plotësuar kërkesat e dhëna në mënyrë shteruese nga ligji, sikurse i
sqaruam më sipër, dhe në asnjë rast ky status nuk lidhet me pronësinë mbi kapitalin e subjektit që
kryhen këtë investim. Por, edhe nëse i referohemi ligjeve të posaçme që rregullojnë konfliktin e
interesit, përsëri ato nuk ndalojnë familjaret e funksionale të lartë shtetërore të kryejnë veprimtari
private, përfshirë këtu edhe investimet në sektorin e turizmit në ngritjen e strukturave turistike,
apo edhe në trajtimin si investitor strategjik për shkak të plotësimit të kritereve ligjore. Ligji Nr.
9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve
publike” nuk ndalon personat e lidhur me deputetin të ushtrojnë veprimtari private, por i kufizon
ata në interesin privat.

Statusi investitor strategjik procedurë e asistuar nuk jep trajtim preferencial për reduktim të
vlerës së TVSH-së për subjektin “shoqëria “AG TCC” shpk me ortak dhe administrator
bashkëshortin e deputetes znj Olta Xhaçka. Sipas nenit 49, pika 3 dhe 4 të Ligjit “Për tatimin e
vlerës së shtuar” parashikohet se, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 6 %
aplikohet mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit dhe nuk është një preference
kundrejt shoqërisë në fjalë për shkak të statusit. Tarifa e reduktuar e TVSH-së nuk është pasojë e
statusit por është një përftim që i jepet industrisë së turizmit pavarësisht patjes apo jo të statusit.

Në rastin e konkret shtrohet pyetja që a po ushtrohet veprimtari fitimprurëse apo jo. Sipas
rrethanave të faktit si nga shoqëria “AG TCC” shpk ashtu edhe nga shoqëria “AG TCC Hotel
Mangement” shpk nuk është duke u ushtruar ndonjë veprimtari fitimprurëse. Struktura hoteliere
është në ndërtim, dhe të gjitha pretendimet parashtrohen me faktin nëse në të ardhmen do të
ushtrohet ndonjë veprimtari fitimprurëse. Nuk ka akoma ushtrim veprimtarie, gjë e cila e lë pa
rast konkret çështjen në fjalë pa objekt.

Si konkluzion sa më sipër rezulton se motivi i vetëm për dhënien e statusit të investitori


strategjik, është plotësimi prej subjektit shoqëria “AG TCC” shpk tërësisht i kritereve të
parashikuara nga ligji 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” për
marrjen e këtij statusi, si investitor strategjik, me procedure të asistuar në sektorin e turizmit.

B. Dhënia e plazhit përballë kompleksit “Dremades Luxury Suites”

25
Me qëllim garantimin e sigurisë juridike, të investimit jo vetëm ligji “Për investimet strategjike”,
por edhe ligji për turizmin parashikojnë për të drejtën e përdorimit të bregut nga subjektet që
ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit.

Me Vendimin Nr. 137, datë 02.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për lejimin e përdorimit të
brigjeve dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në funksion të realizimit të
projektit investues strategjik “DREMADES LUXUY SUITES”, rezulton se shoqërisë “AG TCC
Hotel Mangement” shpk i është dhënë e drejta që të përdorë plazhin në këtë zonë. Theksojmë se
subjekti “AGTCC HOTEL MANAGEMENT” Shpk me NUIS M11825022K, investitori
strategjik që do të lidhë kontratën përkatëse, në përputhje me sipërfaqet dhe destinacionin e
kërkuar nga subjekti të lejuara me vendimin nr. 3/5, datë 29.03.2021 të KIS të ndryshuar dhe të
konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë dhe është një subjekt që nuk zotërohet apo është në
administrim nga bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka.

Bregu i detit për një strukturë turistike që ndodhet në afër bregut të detit është një utiletet i
domosdoshëm për këtë të fundit. Gjithashtu përdorimi i bregut të detit nga klientët e strukturës
turistike është pak a shumë si një nga format e servitutit të detyruara për të lejuar kalimin në det.
Në këtë kuptim, dhënia e bregut të detit nuk është kalimi i një pasurie për ushtrim veprimtarie
fitimprurëse, por një domosdoshmëri dhe një servitut për strukturën turistike. Përdorimi i bregut
të detit është i njëjtë me rastin, kur personi familjar i një deputeti në kuptim të nenit 35 të ligjit
për parandalimin konfliktet të interesit ushtron veprimtari me restorante apo bar kafe dhe vendos
tavolina në hapësirë publike.

Përdorimi i këtyre hapësirave publike, nuk mund të konsiderohet se po ushtrohet veprimtari


fitimprurëse me pasuri publike. Përdorimi i bregut të detit është i njëjtë me përdorimin që mund
t’i bëjë një restorant, bar kafe i hapësirave publike, duke vendosur karrige apo tavolina në këto
hapësira. Me këtë logjike duhet të kërkohet mbarimi apo pavlefshmëria e mandati të çdo deputeti
në rast se persona të lidhur me të dhe që mund të ushtrojnë këto veprimtari shfrytëzojnë hapësira
publike.

Lejimi për përdorimin e plazhit nuk konsiderohet në rastin konkret si dhënie e një pasurie
publike familjarëve të funksionarëve të lartë shtetërore, pasi njohja e së drejtës së përdorimit e
kësaj pasurie rrjedh nga ligji i posaçëm për turizmin. Sipas këtij ligji kushdo që ka një strukture
turistike apo zotëron një bar me rreth 20 tavolina në pjesën e plazhit ka të drejtën të përdorë edhe
bregun detit përpara vendit të ushtrimit të veprimtarisë. Në këtë kuptim nuk ka asnjë trajtim
preferencial në krahasim me subjektet e tjera që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e
turizmit, pasi përdorimi i bregut të detit është një e drejtë e çdo subjekti për të shfrytëzuar pjesën
e bregut të detit sipas ligjit për turizmin.

Mos dhënia e faciliteteve që janë utilitare për strukturat turistikë, që parashikon ligji, është një
mosrespektim i ligjit. Sqarojmë faktin, se struktura turistike është duke u ngritur në një
pasuri tërësisht private, dhe vlera e investimit dhe impakti në punësim kanë sjellë për pasojë që

26
ky investim të konsiderohet sipas ligjit si një investim strategjik. Plazhi, është një utilitet i
domosdoshëm dhe tërësisht i nevojshëm për strukturën turistike, pasi në të do të vendosen
shezllonët, për tu përdorur prej personave që do të pushojnë në strukturën hoteliere. Plazhi, është
një element i domosdoshëm i këtyre strukturave, pasi pa të struktura nuk ka vlerë të plotë dhe
investimi që kryhet nuk i realizon qëllimet e tij. Në çdo vend struktura të tilla turistike, nuk
konsiderohen si të tilla, nëse nuk kanë edhe vendin e plazhit, ku mund të vendosin shezllonet për
pushuesit e tyre.

Fakti që ligji 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” nuk e lidh
përftimin e statusit me pronësinë mbi subjektin investues, por me kritere të tjera si vlera e
investimit dhe vendet e punës që do të hapen, nuk e pengon, përkundrazi e detyron Këshillin e
Ministrave të trajtojë sipas nenit 29 subjektin që ka përfituar statusin e investitorit strategjik.
Ligji i posaçëm, sikurse do ta analizojmë më poshtë, përfshi edhe atë të konfliktit të interesit nuk
pengon familjarët e funksionarëve të lartë shtetëror, kur investojnë për ngritjen e një strukture
turistike tërësisht në një pronë private, të mos kenë të drejtë të marrin statusin e investitorit
strategjik, kur me investimin që ata realizojnë plotësojnë kriteret e ligjit.

Lejimi i përdorimit të plazhit si pjesë e pasurisë publike, është një domosdoshmëri, dhe për
analogji është e njëjtë përsa i përket furnizimit me energji elektrike, apo me ujë, pasi edhe
subjektet që kryejnë këto furnizime janë në pronësi të shtetit, dhe në këtë mënyrë ato furnizojnë
subjektin me produkte që konsiderohen si pasuri publike. Interpretimi i zgjeruar që i bëhet pikës
2 të nenit 70 nga përmbajtja e mocionit, lë hapësirë për të konsideruar papajtueshmëri, edhe
rastin kur rruga përpara shtëpisë së një deputeti rregullohet e cila sjell për pasojë rritjen e vlerës
së kësaj prone, por edhe rasti kur personi familjar në kuptim të nenit 35 të ligjit për parandalimin
e konfliktit të interesit ushtron veprimtari me restorante apo bar kafe dhe vendos tavolina në
hapësirë publike.

Motivimi për daljen e Vendimit 137 të Këshillit të Ministrave, është zbatimi i detyrimit që rrjedh
nga neni 29 i ligjit 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i cili
detyron Këshillin e Ministrave që të lejojë subjektet që kanë përfituar statusin e investitorit
strategjik të përdorin zonën përkatëse të plazhit që shtrihet përpara strukturës turistike.

C. Mbi konfliktin e interesit

Sipas nenit 11 të Kushtetutës parashikohet se


1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në
ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.
2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për
arsye të rëndësishme publike.
27
Në kuptim të këtij neni kushdo është i lirë të ushtrojë veprimtarinë e tij ekonomike dhe, vetëm në
raste të caktuara ky kufizim vendoset me ligj të veçantë. Në këtë grup përfshihen edhe kufizimet
që ju vihen zyrtarëve të lartë shtetërorë në ushtrimin prej tyre apo personave të lidhur me ta.

Nga përmbajtja e mocionit pretendohet se deputetja Olta Xhaçka ka shkelur parashikimet e pikës
2 të nenit 70 të Kushtetutës, sipas të cilit parashikohet se “Deputetët nuk mund të ushtrojnë
njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.”

Parashikimet ligjore për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit janë të përcaktuara në ligjin Nr.
9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve
publike”, të ndryshuar. Sipas këtij ligji me konflikt interesi është gjendja e konfliktit ndërmjet
detyrës publike dhe interesave private të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa private, të
drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në
kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike dhe për këtë shkak
ligji parashikon se subjektet e tij duhet të kufizohen në të drejtat e tyre private.

Nga tërësia e dispozitave të ligjit Nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të
interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar rezulton se deputeti vetë por edhe
bashkëjetuesi i tij janë të detyruar t’i nënshtrohen ndalimeve apo kufizimeve të lirisë ekonomike.

Nëse merren në analizë provat e paraqitura së bashku me mocionin si dhe situatën ligjore për
dhënien me VKM të subjektit “AG TCC Hotel Management” shpk, së pari nuk rezulton se
subjekti zotërohet nga rrethi i subjekteve të përcaktuar në pikën 1 të nenit 35 të ligjit.

Është evidente se zbatimi i parashikimeve të nenit 70 në subjekte të ndryshme nga deputetet


është jo vetëm një interpretim i zgjeruar i qëllimit të ligjvënësit, por ajo në kushtet e mungesës së
qartësisë mund të çojë në interpretime arbitrare.

Në vazhdimin e interpretimeve të zgjeruara të nenit 70 të Kushtetutës duhet të humbi mandatin


edhe deputeti, nëse zona urbane rreth shtëpisë së tij rikualifikohet apo se edhe vetëm rruga që të
çon drejt banesës ku ka shtëpinë sistemohet me fonde publike për aq kohë sa vlera e pasurisë së
tij do të rritet disa herë si shkak i drejtpërdrejt nga përdorimi i fondit publik. Njësoj duhet të
interpretohet humbja e mandatit edhe nëse do kemi kalim pranë/për në pronën e deputetit të
rrjetit të gazit, të fibrave optike, të një rrjeti me efiçent elektrik etj., të cilat rrisin vlerën e pronës
së deputetit.

Gjithashtu, ligji ka përjashtuar nga ndalimet e vendosura në pikën 1 të nenit 21 edhe rastet, kur
kontrata që lidhet me subjektin bazohet në ligje të veçanta, për qëllime publike etj.. Ky
përjashtim merr në konsideratë faktin kur lidhja e kontratës është detyruese për institucionin
publik, jo si pasojë e shprehjes së vullnetit të këtyre organeve, por si pasojë e detyrimit që një ligj
i posaçëm i bën organit publik për të lidhur një kontratë me një subjekt privat.

28
Gjithashtu ndalimi i vendosur nëpërmjet pikës 1 të nenit 21 të ligjit “Për parandalimin e
konfliktit të interesit”, është i përjashtuar edhe në rastet kur krijimi i kësaj marrëdhënie juridike
bazohet në një ligj të posaçëm dhe vetëm për qëllime publike.

Sipas ligjit në këtë moment kërkohen të plotësohen dy kritere, të cilat e bëjnë të vlefshme
përjashtimin për të hyrë në marrëdhënie kontraktore për shkak të ushtrimit të veprimtarisë me
prona të pushtetit qëndror apo vendor dhe që janë si më poshtë:

1. Besueshmëria në një ligj të posaçëm;


2. Ekzistenca e qëllimit publik.

Sipas shkronjës “c” pika 4 e nenit 21 të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesit në
ushtrimin e funksioneve publike” nëse vërtetohet ekzistenca e të dy kushteve njëherazi sjell për
pasojë rënien e ndalimit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

Subjektit, të cilit i është dhënë në përdorim pjesa e bregut përballë strukturës hoteliere në pronësi
të tij buron nga një ligj i posaçëm. Sikurse e kemi parashtruar më sipër sipas nenit 29 të Ligjit
55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” parashikohet se lejimi i
përdorimit të brigjeve të detit, miratohet me vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave. Në këto
kushte krijimi i kësaj marrëdhënie buron nga ligji i posaçëm, për aq kohë sa subjekti sipas
kritereve ligjore i është njohur statusi i investitorit strategjik në fushën e turizmit.
Po kështu edhe kërkesa tjetër që ka të bëjë me qëllimin publik plotësohet në rastin konkret.
Shoqëria “AG TCC Hotel Management” shpk ka statusin e investitorit strategjik në fushën e
turizmit. Sipas parimeve të shpallura nga ligji 55/2015, “Për Investimet Strategjike në
Republikën e Shqipërisë”, të konsideruarit të një investimi si strategjik është i lidhur ngushtë me
faktin e përputhshmërisë së investimit që do të kryhet dhe interesit publik që realizohet
nëpërmjet tij. Qëllimi publik për zhvillimin e sektorëve të veçantë të ekonomisë realizohet
nëpërmjet nxitjes dhe tërheqjes së investimeve. Pikërisht për realizimin e këtij qëllimi i është
njohur nga ligji i posaçëm edhe e drejta e hyrjes në marrëdhënie kontraktore me organet publike,
dhe pikërisht kjo marrëdhënie e krijuar nuk është në shkelje të ndalimeve të vendosur në pikën 1
të nenit 21 të Ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve
publike”, pasi sipas shkronjës “c” të pikës 4 të nenit 21 të po këtij ligji, marrëdhënia konkrete e
krijuar për shkak të dhënies në përdorim të plazhit është tërësisht e lejuar nga po ky ligj.

Sa më sipër, përfaqësuesi i deputetes Olta Xhacka, avokati Genc Cifligu ka pretenduar se


mocioni për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin pavlefshmërisë dhe
mbarimit të mandati të deputetes znj, Olta Xhaçka është i pambështetur në parashikimet e
pikës 3 dhe 4 të nenit 70 të Kushtetutës.

29
IX. VLERËSIMI I KËRKESAVE PËR NDJEKJEN E PROCEDURËS
PARLAMENTARE PËR KONSTATIMIN E PAVLEFSHMËRISË DHE
MBARIMIT TË MANDATIT TË DEPUTETES OLTA XHAÇKA.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 70, pika 2 përcakton se deputetët nuk mund të
ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të
Ministrave, si dhe (pika 3 po këtu) deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse
që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
Në nenin 71 pika 2 e Kushtetutës, përcaktohet se kur vërtetohet një nga kushtet e
pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3,
atëherë mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i shqyrton kërkesat në bazë të nenit 119 të
Rregullores së Kuvendit ku shprehimisht thuhet:

1. Kufizimet e përcaktuara në këtë nen fillojnë ditën që deputeti shpallet i zgjedhur nga
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ose, në rast ankimi, nga gjykata kompetente. Deputeti merr të
gjitha masat për të shmangur çdo situatë papajtueshmërie ose konflikti interesi, që mund të lindë
në momentin e fillimit të mandatit parlamentar dhe gjatë gjithë kohës që ai vazhdon. Deputeti
ndërmerr veprimet konkrete jo më vonë se momenti i shpalljes së rezultatit përfundimtar të
zgjedhjeve, kohë në të cilën mundësohet siguria dhe qartësia te deputeti për të ardhurat e tij
financiare.
2. Për çdo shkelje të kufizimeve të këtij neni, çështja dërgohet pa vonesë në Gjykatën
Kushtetuese. Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon
nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve
nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur,
verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret
kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës për vënien në lëvizje të
Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e
mocionit në seancë plenare, në përputhje me parashikimet e Rregullores së tij.
3. Kuvendi nuk vë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk ia nënshtron atë debatit
parlamentar, pasi nuk i hyn themelit të çështjes për të vlerësuar nëse veprimet konkrete të
pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij.
4. Vlerësimi i meritës së çështjes, nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur pikën 3, të nenit 70,
të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një
çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.

Në kuptim të pikës 2 të nenit 119 të Rregullores dhe referuar rrethanave të cështjes pasqyruar në
të dy mocionet, Këshilli ka për detyrë të shqyrtojë:

a) nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale: numri i anëtarëve nënshkrues;

30
b) nëse mocionit i janë bashkëngjitur dokumentacioni dhe provat për sa pretendohet në
përmbajtje të tij; Këshilli nuk i hyn shqyrtimit të provave, pasi kjo është kompetencë e Gjykatës
Kushtetuese nëse kjo vihet në lëvizje me vendim Kuvendi (neni 119/4 i Rregullores); dhe

c) plotësohen kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës për


vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese.

Në lidhje me plotësimin e kërkesave formale, Këshilli konstaton se të dy kërkesat janë


nënshkruar nga numri i kërkuar i deputetëve sipas parashikimeve të nenit 70, pika 4 të
Kushtetutës (1/10 e deputetëve të Kuvendit).
Kërkesave u janë bashkëngjitur provat dhe dokumentat me të cilat kërkuesit kërkojnë të bazojnë
pretendimet e tyre.
Në lidhje me cështjen nëse plotësohen apo jo kriteret e parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të
Kushtetutës për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, shumica në referim të sa parashtrohet
në dy kërkesat për mocion dhe në referim të parashikimeve kushtetuese cmon se nuk ndodhemi
përpara rastit kur duhet vënë në levizje Gjykata Kushtetuese, për arsyet si vijon:
Neni 70/3 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se:
....3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit
ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.

Në rast se deputeti ndodhet në kushtet e parashikuara në këtë dispozitë kushtetuese, Kuvendi


vepron sipas pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës që shprehimisht thotë:

.....4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së
dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e
cila konstaton papajtueshmërinë.

Fillimisht shumica, çmon të nënvizojë se dërgimi i cështjes në Gjykatë Kushtetuese bëhet me


vendim Kuvendi. Kushtetutbërësi jo pa qëllim e ka parashikuar në nenin 70, pika 4 të
Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese, vetëm për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit
të parashikuar në pikën 3 të po këtij neni, vihet në lëvizje me vendim Kuvendi.
Vetë Kuvendi vihet në lëvizje nga kryetari ose 1/10 e deputetëve nëpërmjet mocionit dhe në
vendimarrjen e vet Kuvendi (fillimisht Këshilli) shqyrton nëse janë kriteret e nenit 70, pika 3 për
ta dërguar cështjen në Gjykatën Kushtetuese. Pra, Kuvendi nuk është thjesht një “noter” që kthen
një mocion në kërkesë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, pasi nëse do të ishte kështu
Kushtetuta do të parashikonte vetë që kryetari i Kuvendit ose 1/10 e deputetëve mund ta
depozitionin direkt kërkesën në Gjykatën Kushtetuese pa patur nevojë të ndiqej një procedurë në
Kuvend.

31
Vullneti i Kushtetutbërësit në nenin 70, pika 4 të Kushtetutës, është i qartë, se për parashikimet e
nenit 70, pika 3 të Kushtetutës, Kuvendi pa i hyrë në themel cështjeve, duhej të bëjë një
verifikim nëse pretendimet janë nga ato që parashikohen në këtë dispozitë apo jo, duke ia lënë
kështu Kuvendit të drejtën për të dërguar cështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Jo cdo shqyrtim i papajtueshmërive ndjek këtë procedurë. Në rastin konkret, Kushtetuta i ka lënë
Kuvendit detyrën për një procedure të vecantë për shqyrtimin e papajtueshmërive që
parashikohen në nenin 70, pika 3 të saj dhe vendimmarrjen për vënien në lëvizje të Gjykatës
Kushtetuese.
A plotësohen kriteret e pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës në rastin në shqyrtim?
Bashkëlidhur të dy kërkesave, deputetët nismëtarë kanë paraqitur faktet dhe rrethanat, mbi të
cilat kanë mbështetur pretendimet e tyre. Në mënyrë të përmbledhur, grupi nismëtar pretendon se
bazuar në fakte të cilat janë bërë publike dhe të parashtruara në mënyrë të shtjelluar në dy
mocionet, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Olta Xhaçka, ka ushtruar mandatin në
kundërshtim me pikat 2 dhe 3 të nenit 70 të Kushtetutës, duke ushtruar veprimtari fitimprurëse
me pasuri të shtetit nga shoqëria tregtare në pronësi të bashkëshortit të saj z. Artan Gaçi.
Kërkuesit pretendojnë se deputetja zj. Xhaçka ndodhet në kushtet e ndalimit të përcaktuar në
pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës.

Në vendimin nr. 93/2016, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se :


“… 14. Bazuar në paragrafin 4 të nenin 70 të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese,
Kolegji vëren se Gjykata ka juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin
për shkeljet e paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin
kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga
pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre. Vetëm në lidhje me këtë ndalim
kushtetutëbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, sipas paragrafit 4 të
nenit 70, e cila në raste të tilla është organi që ka kompetencën për të shqyrtuar në themel
çështjen. Për sa u takon rasteve të tjera të papajtueshmërisë sipas paragrafit 2 të nenit 70 të
Kushtetutës apo ligjeve tek të cilat ai referon, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për
shqyrtimin e tyre.
15. Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se në rastin konkret nuk plotësohen kushtet për
vënien në lëvizje të Gjykatës, në kuptim të përmbajtjes së nenit 70/4 të Kushtetutës, për rrjedhojë
shqyrtimi i kërkesës së paraqitur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.”
Theksojmë se sipas një praktike të konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, juridiksioni i kësaj
gjykate, përcaktohet, shtohet apo kufiziohet vetëm nëpërmjet normave kushtetuese. Kjo del qartë
nga vendimi nr.34, datë 24.9.1996, ku Gjykata Kushtetuese shprehet se Kompetencat e Gjykatës
Kushtetuese nuk mund të ndryshohen, ngushtohen ose zgjerohen, përveçse me ligj kushtetues.

32
Në këtë aspekt, nuk mundet që Kuvendi të ndryshojë juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese me
ligj, dhe aq më pak me vendimmarrje të saj normale, si një vendim i Kuvendit, që në këtë rast
është akt administrativ me natyrë individuale.

Për më tepër, neni 70, pika 4 e Kushtetutës është mjaft i qartë. Ajo përcakton që Gjykata
Kushtetuese ka juridiksion vetëm në rastet nëse cënohet pika 3 e nenit 70 të Kushtetutës.
Megjithëse mënyrat e interpretimit të normave juridike janë të ndryshme, kjo nuk do të thotë që
secila mund të përdoret sipas rastit, pa u bazuar në ndonjë kriter apo renditje specifike të tyre,
pasi kjo do të sillte cënimin e parimit të rëndësishëm të sigurisë juridike.

Kështu, metoda e parë që duhet të përdoret është interpretimi literal. Pra, normat duhet të
lexohen dhe kuptohen sipas kuptimit të parë dhe standard që ato kanë. Kjo qasje është pranuar
nga shumë juridiksione kushtetuese të huaja. këtu mund të përmendim Gjykatën e Lartë të
Australisë çështja Amalgamated Society of Engineers v Adelaide Steamship Company (1920) 28
CLR 129, Gjykatën Kushtetuese të Afrikës së Jugu, çështja S v Zuma 1995 (2) SA 642 (CC),
Gjykatën Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës, çështjen STC 72/1984 si edhe Gjykatën e Lartë
të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çështjet Gibbons v. Ogden, 22 U.S. (9 Wheat.) 1, 71
(1824), United States v. Great Northern Ry., 287 U.S. 144, 154 (1932) dhe Bostock v. Clayton
County, 590 U.S.(2020).7 Tek kjo e fundit, Gjykata e Lartë, mbajti qëndrimin se: Vetëm fjala e
shkruar është ligji dhe të gjithë njerëzit kanë të drejtë të përfitojnë prej tij.

Në këtë kontekst nenit 70, pika 4 i Kushtetutës duhet lexuar sic është shkruar nga ligjvënësi
kushtetues dhe jo sic do të dëshironim që të ishte shkruar.

Shumica, në referim të vendimit nr.93/2016 të Gjykatës Kushtetuese, çmon se vetëm rastet e


parashikuara në nenin 70, pika 3 të Kushtetutës, hyjnë në juridiksionin e kësaj gjykate; për rastet
e tjera të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit (neni 70, pika 2) apo konfliktit të interesit,
Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion dhe vetëm për këto raste Kuvendi sipas nenit 70, pika 4
të Kushtetutës mund të vendosë t’ia dërgojë cështjen për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese.
Nga aktet e depozituara prej kërkuesve të të dy mocioneve, nuk rezulton që për deputeten Olta
Xhacka dhe bashkëshortin e saj, si ortak në shoqërinë tregtare “AG TCC” SHPK, të plotësohen
kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës, (kryerja e veprimtarisë
fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit dhe pushtetit vendor dhe përfitimi i pasurive të këtyre
të fundit), për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese sipas përcaktimeve të nenit 70 pika 4 të
Kushtetutës.
Pra, për sa kohë shumica vlerëson se në rastin konkret nuk jemi në kushtet e nenit 70, pika 3 e
Kushtetutës, atëherë arrihet në konkluzionin se nuk ka asnjë cështje për shqyrtim që duhet t’i
dërgohet Gjykatës Kushtetuese.

7
Shumica përbëhej nga gjyqtarët Neil Gorsuch (autori i vendimit), John Roberts (kryetari), Ruth Bader Ginsburg,
Stephen Breyer, Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan. Ndërsa në pakicë ishin gjyqtarët Samuel Alito, Clarence
Thomas dhe Brett Kavanaugh.
33
III. PËRFUNDIMI
Shumica parlamentare në bazë të nenit 119 të Rregullores, i propozon Kuvendit mosdërgimin e
mocioneve në Gjykatën Kushtetuese, pasi kërkesa nr________, datë _________ dhe kërkesa
Nr________, dhe datë ______ nuk plotësojnë kriteret e nenit 70, pika 3 të Kushtetutës dhe në
këto kushte Kuvendi nuk mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushetuese sipas parashikimeve të
nenit 70, pika 4 të Kushtetutës.

34

You might also like