You are on page 1of 14

Nexhat Ibrahimi

Jeta dhe vepra e Sami Frashërit


(1850-1904)

(Me rastin e 140 vjetorit të lindjes)

Hyrje

Ballkani gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX karakterizohet me lëvizjet gjithherë e


më të mëdha nacional-çlirimtare të popujve. Deri sa nga njëra anë në shumë shtete
vërehen shenjat e para të konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm, në aspektin fetar,
politik, ekonomik, kulturor etj., nga ana tjetër fuqitë e mëdha evropiane me “Paqën e
Shën Stefanit” (1878) dhe me “Kongresin e Berlinit “ (1879) hartës së vendeve
ballkanike i jepnin një konfiguracion të ri, kryesisht në dëm të territoreve të banuara me
shqiptar dhe të rrethit kulturor-historik musliman.

Jeta e Samiut

Në këtë kohë antagonizmash shoqërore-politike, socio-ekonomike e kulturore, në


kohën e rezistencës gjithnjë e më të madhe të popujve më të vegjël, kurse orekseve
gjithnjë e më të mëdha të kolonialistëve perëndimorë në fshatin Frashër, në lindje të
Permetit, në Shqipëri, u lind Shemsudin Sami bej Frashëri, më i njohur si Sami Frashëri.
Nëse i hedhet një vështrim tërësor e analitik jetës së Samiut, lehtë dallohen tri
vendbanime apo tri vendqëndrime të tij që koincidojnë me tri etapa të formimit dhe
zhvillimit intelektual e politik të Samiut:

• Frashëri – vendlindja përherë e dashur e Samiut dhe fëmijëria e tij;


• Janina – qendër vilajeti dhe rinia e Samiut dhe;
• Stambolli – kryeqendra e osmanlinjve, afirmimi dhe pjekuria e Samiut .

Frashëri – Etapa e fëmijërisë

Frashëri paraqet etapën e parë të jetës së Samiut. Këtu Samiu e thithi nektarin e parë të
diturisë, të dashurisë së familjes, popullit dhe atdheut dhe mbi të gjitha të fesë së tij të
lartë islame, në shenjë të së cilës do të luftojë gjatë gjithë jetës së tij.
Samiu rrjedh nga një familje bejlerësh të vegjël të rrethit të fshatit të Frashërit, nga i ati
Halid beu (vd. 1858) dhe e ëma Emineja. Kishte disa vëllezër dhe motra. Më të moshuar
se Samiu ishte Avdyli, Nefiseja, Sherifi, Naimi, Shanishaja, kurse më të rinjë se Samiu
ishin: Tahsini dhe Mehmeti. Ndër fëmijët më të njohur nga ata janë: Avdyli, Naimi dhe
vetë Samiu.
Ekzistojnë ca dilema rreth datës së Samiut. Së këndejmi, nga autori në autor hasim në
laramani shënimesh. Disa pohojnë se Samiu u lind më 1 qershor, kurse disa me 5 qershor.
Mirëpo, këtë dilemë na i heq vetë Samiu, i cili në autobiografinë e shkurtër, të botuar në
revistën “Serveti funun”, nr. 273, të dt. 06. 06. 1312 hixhrij (19. 06. 1896), fq. 227, për
veten thotë se është i lindur më 22 rexhep të vitit 1266 hixhrij dhe sipas tabelave më të
reja sinkronike, 22 rexhepi është ekuivalent me datën 3 qershor 1850, e jo më 1 apo 5
qershor 1850.
Nga imamët e fshatit Samiu mësoi shkrim-leximin e Kur’anit, bazat nga akaidi
(apologjetika, dogmatika), fikhu (dispozitat), ahlaku (morali), historia islame, disiplinat
letrare orientale etj. Mësoi edhe bazat e gjuhës turke, arabe dhe persishte , të cilat
disiplina më pastaj do të hyjnë në përdorim të gjerë në punën e tij të vëllimshme
shkencore.

Janina – Etapa e rinisë

Pas vdekjes së prindërve, Abdyli, vëllai më i moshuar i Samiut, mori me vete familjen ne
Janinë, ku punonte si nëpunës dhe bënte tregti. Ishte ky viti 1865. Kështu Samiu u largua
nga Frashëri pa e ditur se po largohet përgjithmonë, kurse të cilin gjithnjë do ta ketë në
kujtesë të gjallë. Në atë kohë, Janina paraqiste një qendër tregtare dhe kulturore dhe një
konglomerat popujsh: shqiptar, grekë, vllehë etj. Për shpirtin kurreshtar të Samiut, Janina
ishte një mundësi më shumë për të depërtuar në botën e diturisë. Me të vendosur në
Janinë, Samiu ndoqi kursin e gjuhës arabe e persiane tek dy imamë të njohur të këtushëm,
e pastaj e regjistroi Gjimnazin “Zosimea”, që radhitej ndër shkollat më të zhvilluara në
Ballkan. Ndonëse zgjaste tetë vjet, Samiu këtë shkollë e kreu për shtatë vjet. Këtu Samiu
e mori një kulturë të gjerë klasike dhe fliste me admirim për metodat dhe lëndët që
mësoheshin: greqishtja e re dhe e vjetër, italishtja, frengjishtja, pastaj historia, gjeografia,
matematika, astronomia, fizika, kimia, historia e natyrës dhe anatomia etj. Me fjalë të
tjera, Janina paraqet rininë e Samiut dhe themelet e formimit të tij intelektual e njëherit
edhe të atij politik. Gjimnazin e mbaroi më 1871, kurse vitin vijues punoi si nëpunës në
Sekretarinë e Vilajetit të Janinës.

Stambolli - Etapa e afirmimit dhe pjekurisë

Derisa Frashëri paraqiste etapën e fëmijërisë, kurse Janina atë të rinisë, Stambolli paraqet
etapën e pjekurisë së Samiut. Përgatitja inteleketuale dhe politike e Samiut në Frashër e
Janinë, në Stamboll ajo gjithnjë e më shumë manifestohej, kështu që ai u fut në valët e
jetës dhe luftës politike. Këtu erdhi më 1872 që dituritë e arritura t’i vejë në veprim, kurse
dituritë e reja, deri atëherë të pakapshme për të, t’i përvetësojë. Së pari filloi të punojë në
drejtorinë e botimeve dhe të bashkëpunojë me disa gazeta turke.
Për shkak të intensifikimit të punës shkencore dhe politike dhe veprimit të tij në këtë
plan, gjë që nuk i shkoi për shtati qeverisë turke, më 1874 e syrgjynosi Samiun në Tripoli
të Libisë. Prej atje u kthye në vitin 1875. Dy vjet më vonë, në vitin 1877, Samiu sërish u
syrgjynos në ishullin Rodos. Aty punoi si myhyrdar i Sava pashës. Këtë vit Samiu mori
pjesë në themelimin e Komitetit për Mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në
Stamboll. Vitin vijues Samiu është mjaft aktiv në këtë plan. Kështu që e gjejmë si njërin
nga nismëtarët kryesorë të veprimtarisë kulturore të kolonive të shqiptarëve në Stamboll.
Njëkohësisht, Samiun e gjejmë si këshilltar kryesor politik të vëllait Avdylit në lidhje me
Lidhjen e Prizrenit më 1878.
Në vitin 1879 kur edhe u mbajtë Lidhja e Prizrenit, Samiu është ndër themeluesit kryesor
të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip në Stamboll, por edhe kryetar i saj.
Ndër këto të dhëna nuk janë të tepërta të theksohen edhe disa detaje, të cilat vetëm sa e
ndriçojnë personalitetin e Samiut. Më 1884, në moshën 34 vjeçare, Samiu u martua me
Eminenë, me të cilën jetoi nëntë vjet, patën katër fëmijë: vajzat Samien dhe Sadien dhe
djemtë: Sadiun dhe Alisamiun.
Samiu punonte shumë, e kur lodhej, kuvendonte me të bijën, Samijen rreth veprave të
Viktor Hygosë, dhe mbi astronominë, e cila kohëve të fundit i interesonte shumë.
Për vizitorët që vinin për t’u këshilluar dhe për të marrë mendimin e tij nga orientalistët
gjermanë, frengë, arabë e grekë, Samiu ishte mësues modest dhe mjaft komunikativ.
Besimin dhe autoritetin që e kishte edhe te qeveria turke e cila përkundër të gjithave, ia
besoi detyrën e Sekretariatit Ushtarak në Stamboll, e më vonë edhe të Kryesekretariatit.
Gjatë kësaj kohe, e punoi projektin e riorganizimit të sistemit administrativ të
osmanlinjve , që ta shërojë nga sëmundje të ndryshme, të përparojë në një sistem
modernë e përparimtar.
Puna e tij e vëllimshme dhe studioze, e krijuar në kushte të vështira të jetës, pastaj
syrgjynosjet e të tjera, bënë që Samiu të vuajë nga reumatizma, nga e cila edhe vdiq, të
shtunën, më pesë qershor të vitit 1904 në ora 21 në Stamboll. Vdekja e tij i goditi rëndë
dashamirët e diturisë dhe kulturës, atdhetarët. Edhe më rëndë e goditi vetë familjen e
Samiut, sepse, gjatë jetës dhe me qëllim të botimit të gjithë asaj që e shkroi dhe e botoi,
Samiu pati hyrë në borxhe të mëdha, të cilat nuk arriti t’i kthejë. Me të vdekur, shtëpia
dhe biblioteka e tij, prej 12 mijë vëllimesh, u shitën, kurse fëmijët u gjetën në rrugë pa
përkujdesje.
Kjo jepë të kuptojmë se Samiu e dëshiroi jo fronin e sunduesit, por interesin e popullit të
tij dhe të popujve të tjerë.

Veprat e Samiut

Deri sa rreth jetës dhe aktivitetit të Samiut shkencëtarët kryesisht pajtohen, kjo nuk mund
të thuhet edhe për veprën e Samiut. Studimet e deritashme janë të pamjaftueshme, kurse
pjesa më e madhe e tyre janë të njëanshme dhe ideologjikisht të ngjyrosura dhe japin një
pasqyrë të mangët dhe të shtrembëruar të idesë dhe veprës së Samiut. Megjithëkëtë, të
gjithë studiuesit janë të mendimit se Samiu është një fenomen i shkëlqyer i kulturës
shqiptare muslimane dhe kulturës në përgjithësi. Ishte i çmuar edhe në vendlindje edhe
jashtë saj. Prandaj, cilësimet si: patriot, revolucionar, politikan, mendimtar, publicist,
edukator, letrar, linguist e islamolog, janë njëmendësi të pakontestueshme pa kurrfarë
ekzagjerimesh. Samiu brenda një kohe relativisht të shkurtër botoi mbi 60 vepra të
zhanreve të ndryshme, që japin masën e personalitetit poliedrik, enciklopedik të tij.
Është vështirë që në një shkrim të këtij lloji të theksohet dhe të shkoqitet tërë vepra e
Samiut, prandaj në vazhdim do të përpiqemi që shkurtimisht t’i theksojmë vetëm disa nga
shkrimet e Samiut dhe aktivitetet e tij.
Që nga viti 1872 e deri në vdekje, më 1904, Samiu ka qenë mjaft aktiv në shumë
pikëpamje, e së pari filloi të preokupohet me gazetari si gazetar e redaktor dhe zë vend
shumë të dalluar në gazetarinë dhe publicistikën turke. Gjithsej redaktoi tetë gazeta e
revista:

• Tarabulus (Tripolis 1874) – gazteë e përjavshme arabisht-turqisht. Organ i


Vilajetit të Turqisë, tëcilën e redaktoi gjatë kohës kur ishte i syrgjynosur në Libi.
• Sabah – gazetë e përditshme, kryeredaktor i së cilës ishte Samiu, nga numri i parë
(më 09. 03. 1876) e deri në numrin 256 (më 05., 01. 1887).
• Tercuman shark - gazetë e përditshme, ku Samiu ishte kryeredaktor nga numri
74 (10. 04.1878).
• Aile - revistë e përjavshme, kushtuar grave, punëve shtëpiake dhe rritjes e
edukimit të fëmijëve.
• Hafta – revistë, të cilën e themeloi Samiu më 1881. Të gjitha shkrimet janë nga
dora e Samiut. U botua deri te numri 20.
• Siraç – 1873 – ku Samiu ka bashkëpunuar.
• Hadika – janë botuar 72 numra, e pastaj ndalohet mnga qeveria.
• Muharrir – 1876- turqisht. Samiu ka botuar katër numrat e parë.

Samiu bashkëpunoi edhe me gazeta dhe revista të tjera të Stambollit, kryesisht për çështje
gjuhësore dhe letrare.
Samiu u mor edhe me shkrimin e romaneve, dramave dhe përkthimeve, vazhdoi me
shkrimin e Kamus’ul-a’lamit, fjalorët e ndryshëm, të disa doracakëve për mësimin e
arabishtes dhe turqishtes dhe të disa gramatikave të turqishtes, arabishtes dhe shqipes.
Samiu, përveç të tjerave, bëri përkthimin dhe shpjegimin e “Vjershave të Ali ibn Ebi
Talibit” në turqishte më 1318/1900, fq. 125.
Samiu përktheu edhe “El-Mual-lakat’us-seb’a” (Shtatë poezitë e varura) paraislame, të
pabotuara, në vitin 1320/1902, në formë shënimesh.
Siç përmendëm, Samiu shkroi edhe një varg gramatika për gjuhët orientale, të cilat
shquhen për dy çështje:

• Samiu e lë ndarjen klasike arabe të fjalëve (I - Ism (emër); II – Fi’l (folje) dhe III -
Zarf (fjalëve të pandryshueshme) dhe e pranon metodën e gramatikave evropiane.
• Samiu i pari e përdorë termin “gramatikë osmane” dhe e aprovon termin
“gramatikë turke”.

Në këtë frymë Samiu shkroi:


1) Kuçuk elifba (Abetarja e vogël)
2) Tasrifat-i arabiye (Konjugacioni i arabishtes)
3) Yeni Usul elifbayi turki (Abetarja turke sipas metodës së re)
4) Yeni Usul sarf-i turki (Morfologjia turke sipas metodës së re)
5) Kavaid-i sarfiye-i arabiyye (Rregullat e morfologjisë arabe)
6) Kavaid-i nahwiye-i arabiye (Rregullat e sintaksës arabe).

Përveç këtyre Samiu shkroi edhe “Shkronjëtore e gjuhës shqip” më 1886 në Bukuresht,
përkatësisht gramatikën shqipe, e cila për shqipfolësit paraqet njërën ndër veprat më të
rëndësishme në atë kohë, kurse në kuadër të veprave të zgjedhura të Samiut, Rilindja e
botoi më 1979.

Samiu i shkroi edhe disa vepra leksikografike, me të cilat vetes i ka bë emër në


leksikografinë turke, shqiptare e të tjera. Ai shkroi:

• Kamus-i fransevi. (Fransizcadan Turkçeye lugat Distionaire trançais-turc.), më


1680 faqe, me afër 50 mijë fjalë.
• Maus-i fransevi. Turkçeden Fraçaizeaya Lugat (Diktionaire turc.–français në
1208 faqe.
• Kamus-i Turki (Fjalor i gjuhës turke, dmth. Turqisht-Turqisht). Ka 1575 faqe dhe
është fjalori më i mirë i gjuhës osmane-turke. Deri sot ky fjalor nuk është
tejkaluar ende, ndaj është bazë për të gjithë fjalorët e mëvonshëm.
• Kamus-i arabi (Fjalor arabisht-turqisht), të cilin nuk e kreu;.
• Kamus’ul-a’lam (Fjalor i emrave të përveçëm) ose Enciklopedi historike e
gjeografike.

Në pamundësi që për të gjitha këto vepra të flasim, do t’i themi ca fjalë për Kamusin, që
është vepra më e rëndësishme dhe më vëllimore e Sami Frashërit, e shkruar dhe botuar në
dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XIX (1889/1306-1316). Kamus’ul-a’lami ka gjashtë
vëllime me 4830 faqe, me format 30x21 cm., në gjuhën turke. Është enciklopedi
historiko-gjeografike, përkatësisht një leksikon i personaliteteve të shquara botërore në
fushë të letërsisë, shkencës, politikës, drejtësisë, fesë në tërësi, që nga kohët më të vjetra e
deri në kohën kur është shkruar .
Kamusi ka rëndësi të veçant edhe për kulturën dhe qyterëtimin islam shqiptar, sepse
pothuaj në tërësi i ka prezantuar vendet, pozitën gjeografike, historikun, gjendjen aktuale,
numrin e objekteve fetare, numrin e banorëve etj.
Mund të konstatohet se Samiu arriti t’u bëjë ballë dhe me pedanteri e saktësi ia doli në
krye ta botojë veprën, e cila edhe sot, pas një shekulli, ka rëndësi të veçant për lëmenj të
diturive interdisiplinare, shoqërore e ekzakte.
Në vazhdim do të përqendrohemi në dy vepra, deri tash /as/pak apo njëanshmërisht të
trajtuara, e ato janë: “Qytetërimi islam” dhe “Përhapja e Islamit”, të cilave do t’ua bëjmë
një prezantim të shkurtër.

Vepra: Qytetërimi islam

Samiu në vitin 1296 hixhrij / 1879 e botoi njërën nga veprt e tij mjaft yë rëndësishme
me tiull Medeniyeti islamiye (Qytetërimi islam), me 123 faqe, format xhepi. Botimi i
dytë ishte më 1302 hixhrij / 1885 në “Cep Kutuphanesi” (Bibliotekën e xhepit).
Samiu si njohës i mirë i kulturës islame, nxjerr në shesh vlerën e saj dhe vendin që zë në
kulturën botërore, që pjesërisht mund të shihet edhe nga paraqitja jonë e kësaj vepre në
vazhdim:
Kapitulli I: Samiu flet për njeriun, vendin, rolin dhe dallimin e tij nga bashkësia e
kafshëve.
Kapitulli II: Autori hedh dritë në një çështje interesante se qytetërimi i tashëm evropian
rrjedh nga merita e Islamit si ndërmjetësues mes kulturës greke dhe valorizues i saj.
Kapitulli III: Këtu Samiu polemizon me disa dijetarë evropianë, të cilët qytetërimin
islam e emërtojnë si arab, që është emërtim i gabuar, sepse siç thotë në kapitullin V, ai
lindi me lindjen e fesë dhe u krijua nga shumë popuj muslimanë.
Kapitulli IV: Autori shtron ballafaqimin e Islamit me kulturat e tjera, përkthimi dhe
vlerësimi i tyre etj.
Kapitulli VI: Këtu flitet për arabët dhe daljen e tyre në botë, zhvillimin e qendrave në
Damask, Bagdad, Isfahan, Samerkand, Buharë, Kordobë etj.
Kapitulli VII: Samiu paraqet gjendjen e arabëve para Kur’anit, prirjen e tyre për poezi
dhe astrologji.
Kapitulli VIII-IX: Në këto dy kapituj Samiu bën fjalë për gjendjen e shkencëtarëve,
kujdesin e halifit Xhafer Mensurit ndaj shkencës dhe shkencëtarëve. Flitet për përkthimet
në gjuhën arabe të veprave të Aristotelit, Hiprokratit, Galenit etj.
Kapitulli XII: Deri sa Samiu këtu bën fjalë për anarkinë e muslimanëve
Kapitulli XIII: Flet për përpjekjet e fatimitëve për përparimin e diturisë.
Kapitulli XIV dhe XV: Samiu vë në pah veprat e qytetërimit islam në Marokë, Spanjë
dhe fundin tragjik të tyre.
Kapitulli XVI: Këtu Samiu paraqet anarkinë në lindjen muslimane, rënien totale të
Bagdadit nën Mongolët, të cilët nga ndikimi i Islamit, e pranuan atë.
Kapitulli XVII: Tema e kapitullit XVI vazhdon të trajtohet edhe këtu, për të shtuar se:
“Popujt e lindjes dhe të veriut e pranuan Islamin me forcën e qytetërimit”.
Kapitulli XVIII (Shkencat e matematikës), XIX (Gjerografia), XX (Kontributi i
përgjithshëm), XXI (Shkencat fizike), XXII (Botanika, farmaceutika), XXIII-XXIV
(Mjekësia) tregon qartë se muslimanët kanë dhënë kontribut të madh dhe të
patejkalueshëm për studimet e mëtejme.
Kapitulli XXV-XXVI: bën fjalë për filozofinë dhe kontributin e Farabiut, Ibni Sinait, Ibn
Rushdiut, Gazaliut etj., filozofisë përgjithësisht.
Kapitulli XXVII: bën fjalë për ligjin dhe kodifikimin e tij.
Kapitulli XXVIII-XXIX: Flet për letërsinë, gramatikën, sintaksën, oratorinë,
leksikografinë, ku përmedën disa emra me rëndësi. Samiu thekson se rima rrjedh nga
poezia arabe etj.
Kapitulli XXXI-XXXII: Samiu pohon se muslimanët kanë dhënë kontribut më shumë se
çdo popull tjetër në botë kur është fjala për historinë. Përmend emrat si Ibn Haldunin,
Makrizin etj.
Kapitulli XXXIII-XXXIV: Samiu vë në pah kontributin e muslimanëve në sferat e
ndryshme: në punimin e tokës, nautikë, lidhjet tregtare me Kinën, Indinë, për përparimin
e kimisë, mineralogjisë, mekanikës etj. Flitet për zbulimin e letrës, busollës, barotit, për
të cilat Samiu thotë se janë zbulime muslimane.
Kapitulli i fundit, XXXV: Është epilogu, ku Samiu bën përmbledhjen e të gjitha të
theksuarave.

Vepra: Përhapja e Islamit

Vepra tjetër me rëndësi e Samiut përkitazi me kulturën islame është Himmet’ul-himam


fi neshr’il-islam (Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit), të cilën në përkthimin
shqip e kemi titulluar Përhapja e islamit, e shkruar në arabishte, kurse e botuar më 1302
hixhrij / 1885 në Stamboll.
Samiu librin e fillon me invokacionin ku i shprehet falënderim Allahut, e pastaj flet për
arsyen pse e shkroi këtë vepër në arabishte dhe thotë se arabishtja është element integrues
mes popujve muslimanë.
Në vazhdim Samiu flet për arabët dhe organizimin e tyre fisnor, për paraqitjen e Islamit
dhe siujdhesën arabe e pastaj edhe në Sham, Irak, Persi, Horasan, Egjipt, Afrikë, flet për
ballafaqimin me kulturat e këtyre popujve dhe ngadhënjimin e Islamit ndaj tyre. Kjo
gjendje zgjati me sukses në shekullin e parë hixhrij, me rënie të intensitetit për shkak të
konflikteve mes Aliut dhe Muaviut r.anhuma. Në këtë periudhë vie deri te ndarja e
hilafetit, në atë të lindjes abasit dhe atë të perëndimit emevit. Samiu pastaj vë në pah se
periudha tjetër ishte në favor të diturisë dhe zejtarisë. Filluan të studiohen dituritë
tradicionale dhe racionale, të hapen shkolla në Bagdad, Buharë, Egjipt, Kordobë etj., prej
nga dolën kolosë të diturisë.
Kjo periudhë e artë zgjati rreth gjashtë shekuj. Më pastaj vërehen shenjat e rraskapitjes,
dobësisë, pasojnë sulmet nga armiqët mongol nga lindja dhe nga ata evrpianë nga
perëndimi dhe nga një kulturë e qytetërim kulminant, shohim rrënim, djegie, vrasje,
inkuizicionin në Spanjë e gjetiu, kryqëzatat e njëkohësisht paaftësinë e tyre, për ta
ngadhënjyer Islamin. Megjithatë, rënia e muslimanëve në rrafshin kulturor-qytetërues, do
të thotë humbje e dyfishtë, materiale dhe kulturore.
Pastaj Samiu vë në pah nevojën e një personaliteti, i cili do t’i bashkonte muslimanët. Kjo
u sendërtua me daljen në skenë të osmanlinjve, të cilët u dëshmuan si trima, të drejtë e
fetarë. Mendimi vijues se Islami deri te Sulejmani është përhapur me pushtime, kurse më
pastaj me vetëdëshirë, me frymëzim nga Allahu dhe me sugjerim nga tregtarët dhe
udhëpërshkruesit, është interesant dhe kërkon vëmendje.
Vlen të theksohet çështja e misionarizimit krahasuar tek evropianët dhe muslimanët. Kur
është fjala për Evropën, Samiu pohon se ata kanë “themeluar organizata të veçanta për
përhapjen e fesë ... dhe kanë investuar mjete të mëdha ... megjithatë krishterizmi u
përhapë pak.” Në anën tjetër, pohon Samiu: “Sikur të punohej për përhapjen e Islamit siç
po punohej në përhapjen e krishterizmit, Islami do të ishte fe universale në të dy
kontinentet: Azi dhe Afrikë.” Mendoj se këtë Samiu me kohë e ka vërejtur dhe realisht e
ka kuptuar. Mirëpo, kur është fjala për përhapjen e Islamit në Evropë, Samiu është
pesimist, duke thënë se kjo s’është e mundur, gjë që tash një shekull pas tij, mund të
shihet se nuk ia ka qëlluar.
Rrugëdaljen e fatit të muslimanëve Samiu e sheh në bashkimin e tyre rreth halifit dhe atë
sunit, që në kohën tonë nga disa qarqe do të quhej panislamist e të ngjashme.
Në vazhdim Samiu përmend popujt kryesorë muslimanë: arabët, turqit, persianët,
muslimanët e Indisë, malajët, zezakët, por edhe ata më të vegjël si: kurdët, afganistanezët,
çerkezët, shqiptarët, boshnjakët. Përmend edhe gjuhët kryesore: gjuhën arabe, turke,
persishte, urdishte dhe malaje.
Në përfundim Samiu pohon se për “Islamin do të ishte më e dobishme sikur ta shkruante
çdonjëri gjuhën e tij”, që flet për largpamësinë e Samiut si dijetar e mendimtar.
Këto janë disa nga idetë kryesore në këtë vepër të shkurtër, por të vlefshme shkencore.
Përveç kësaj që u tha këtu, Samiu është marrë edhe me përkthimin e Kur’anit, nga
arabishtja në tuqishte. Mirëpo, siç lajmëron studiuesi më i autorizuar i Samiut, Agah Sirri
Levend, Samiu këtë përkthim ia ka paraqitur Këshillit të Kontrollit të Sheriatit, për të
nxjerr lejen e botimit. Mirëpo, kërkesa e Samiut u refuzua në mënyrë të prerë dhe
njëkohësisht e detyruan ta zhduk përkthimin në praninë e tyre.
Samiu shkroi edhe shumë sosh, që ne në këtë lloj shkrimi, nuk do të mund t’i përfshijmë,
që s’do të thotë se ato vepra janë pa vlerë. Përkundrazi, ato (Esatir/ Mitologjia, Kadinlar
/Gratë, Gok/ Qielli, Yer / Toka etj.) tregojnë gjithanshmërinë e Samiut dhe karakteristikën
tjetër me rëndësi, se të gjitha veprat e tij janë të përshkruara me mësimet nga Kur’ani,
përkatësisht Islami.

Në vend të përmbylljes

Periudha në të cilën jetoi dhe veproi Sami Frashëri është ndër më të bujshmet dhe
paraqet çastin vendimtar për popujt e Ballkanit, përkitazi me të përcaktuarit e tyre politik,
ideologjik e territorial. E gjithë kjo la gjurmë të thella edhe në jetën dhe veprën e Samiut,
e që ai me seriozitet e kuptoi dhe i artikuloi me gjuhën e shkencëtarit në veprat e shumta
të të gjitha zhanreve (gazetari, publicistikë, gjuhë, leksikografi, shkencë, letërsi,
islamologji etj.) me të drejtë rradhitet në shkallën e shkencëtarëve dhe të eruditëve më të
mëdhenjë botërorë. Këtë saktësisht e ka shprehur Ismail Habib Sevuk, duke thënë:
“Atë punë që ndonjëherë nuk do ta kryenin akademitë të përbëra nga 40-50 vetë, duke
punuar vite me radhë, del një Shemseddin Sami dhe e kryen duke u përpjekur si divat.”
Ç’mund të konstatojmë për mbarim?
Ajo që deri tash është thënë dhe shkruar për Samiun është vetëm një fillim. Mbetet
obligim i institucioneve shkencore që gjatë viteve vijuese të hartohen projekte dhe të
përkthehen në mënyrë kritike të gjitha veprat e Samiut, në bazë të të cilave, do të mund të
shkruhej një histori e re, mbi Samiun dhe kohën që jetoi, por pa ngjyrosje ideologjike.
Vetëm atëherë do të mund t’i dilnim hakut veprës së këtij vigani të punës.
I lutemi Allahut të madhërishëm që ta shpërblejë nga thesari i Tij ia pashtershëm. Amin!

Shtojcë:
Fjala e shkruar e Sami Frashërit
• Gazetat dhe revistat:

• Siraxh (Feneri), 1873;


• Hadika (Kopshti), 1873;
• Tarablusi Garb (Libia), 1874-1875;
• Sabah (Mpngjesi), 1876;
• Terxhumani Shark (Zëdhënës i Lindjes), 1878;
• Maharir (Shkrimtari); 1876;
• Aile (Familja), 1879;
• Hafta (Java), 1881;

• Veprat letrare:

• Teashshuku Talat ve Fitnat (Dashuria e Talatit me Fitneten), 1872, roman;


• Besa yahod Ahde Vefa (Besa ose Mbajtja e premtimit), 1875, dramë në gjashtë
pamje;
• Seydi Yahja (Zotëri Jahja), 1875, dramë me pesë pamje;
• Gave 1876, dramë me pesë pamje.

• Seria “Biblioteka e xhepit”:

• Medeniyeti Islamiyye (Qytetërimi islam), botim I, 1879, botim II 1885;


• Esatir (Mitologjia), botimi I 1879, botimi II 1893/1894;
• Kadinlar (Gratë), botimi I 1879, botimi II 1894;
• Gok (Qielli), 1879;
• Yer (Toka), 1879;
• Insan (Njeriu), 1879;
• Emsal (Fjalë të urta), 1879;
• Lataif (Tregime zbavitëse), 1883;
• Yine insan (Përsëri njeriu), 1885;
• Lisan (Gjuha), 1886;
• Usulii tenkit ve terkib (Rregullat e pikësimit e të radhitjes), 1886.

• Fjalorët dhe enciklopeditë:

• Fransizecadan turkçeye lugat (Dictionaire fraçaias-turk – Fjaor frengjihst-


turqisht), botimi I 1882, botimi II 1898, botimi III 1901, botimi IV 1905;
• Turkceden franciscaya lugat (Distionaire rurec-français – Fjalor turqisht –
frengjisht), 1885.
• Kuçuk kamusi fransevi (Fjalori i vogël frengjisht – turqisht), 1889;
• Kamus arabij (Fjalor arabisht \-turqisht), 1889;
• Kamusi turki (Fjalor i turqishtes), 1900;
• Kamus’ul-a’lam / Dictionaire universel d’istorie ede geographie (Enciklopedia e
historisë dhe e gjeografisë), 1889-1898.

• Veprat didaktike:
• Tasrifati arabiye (Lakimet arabe), 1887;
• Kuçuk elifba (Abetare e vogël turqisht), 1887;
• Kavaidi sarafiyyei arabiye (Gramnatika arabe), 1887;
• Kavaidi nahiyyei arabiye (Sintaksa arabe), 1887;
• Yeni usul elifbayi turki (Abetare e turqishtes sipas metodës së re), 1891;
• New usul sarfi turki (Gramatikë e turqishtes sipas metodës së re), 1891;
• Tatbikati arabiye (Ushtrime arabe), 1900.

• Të ndryshme:

• Tarablusi garb tarihi (Historia e Libisë) , 1874;


• Himmet’ul-himam fi neshr’il-islam (Përpjekja e herinjve në përhapjen e
Islamit), e vetmja vepër e tij arabisht e përkthyer shqip me titull “Përhapja e
Islamit), 1885;
• Hurdeçin (Çikërrime – Poezi persiane me poërkthim dhe koment turqisht), 1885;
• Baki-nin esari muntehabasi (Vjersha të zgjedhura të Bakiut), 1899.
• Ali bin Ebi Talibin esari muntahabalari (Vjerdha të zgjedhura të Ali ibn Ebi
Talibit), 1990;
• Bedayi edebiye (Të bukurat eltrare), 1910.

• Përkthimet:

• Tarihi muemeli Fransa (Histori e përmbledhur e Franbcës), 1872;


• Ihtiyar onbasi (Tetori plak), 1873;
• Galatee, 1873
• Sejtanin yadigarlari (Kujtimet e djallit), 1878;
• Safiller (Të mjerët), 1881;
• Robinson, 1885.

• Veprat e pabotuara:
• Kuçuk tarihi umumi (Hisotri e përgjithshme e vogël), 1871;
• Iskati cenin – Yahut ikisi olmus, ikisi çildirnis (Dështimi i fëmijës ose të dy
kanë vdekur, të dy janë çmendur), 1873, roman;
• Rekabet (Rivaliteti), 1873;
• Muntahabat-i arabiye (Pjesë të zgjedhura arabe), 1880;
• Zubdei sahname (Ajka e shahnames), 1895;
• Kudaktu bilid (Njohuri që të bëjnë të lumtur), 1902;
• El-Mual-lakat us’seb’a (Shtatë poezitë e varura), 1902;
• Orhun abideleri (Përmoendoret e Orhunit), 1903;
• Et-tuhfetu zekiyye fil’lugatit-turkiyye (Dhuratë e shijshme për gjuhën turke),
1903;
• Lahçe-i turkyye-i Memalik-i Misir (Të folurit e turqishtes në viset e Egjiptit), pa
vit;
• Kur’an çevirisi (Përkthimi i Kurëanit në gjuhën turke, pa vit;
• Suhrab (Suhrabi), pa vit.
• kavaidi nahviyye we sarfiyye (Rreguyllat të gramnatikës dhe të sintaksës turke),
pa vit;
• Vicdan (Ndërgjegjja), dramë me tre pamje, pa vit;
• Kuçëuk kamus-i turki (Fjalori i vogël i turqishtes), pa vit.
• Mezalimi Endelus (Mizoritë në Andaluzi), pesë pamje, pa vit.
• Kiraet-i turkiyye (Libër leximi i turqishtes), pa vit’;
• Nev usul nahvi turki (Sintaksa turke sipas metodës së re), pa vit;
• Mufassal kavaidi arabiyye (Gramatika arabe e dfetajuar), pa vit.

Kronologjia e jetës së Sami Frashërit

• 1850, lindet në Frashër;


• 1860, i vdes i ati, Halidi, në Janinë;
• 1860, mëson në Gjimnazin e njohur të Janinës, Zosimea. Persishten, arabishten
dhe turqishten i mëson te dy muderris të njohur të Janinës;
• 1862, i vdes e ëma, Emineja në Frashër;
• 1872, pas mbarimit të Gjimnazit Zosimea, shpërngulet në Stamboll. Zë punë në
Drejtorinë e botimeve. Fillon të bashkëpunojë në gjuhën turke, e shkruan romanin
Dashuria e Talatit me Fitneten;
• 1873, përkohësisht është redaktor kryesor i revistës Kopshti, të cilën qeveria e
ndalon pas disa numrash;
• 1874, nxjerr gazetën Tarabulus garb në arabishte dhe turqishte;
• 1875, kthehet prej Tripl\olit në Sta\mboll. Boton në turqiishte dramat Besa dhe
Zotëri jahja;
• 1876, boton në gjuhën turke dramën Gave, revistën shkrimtari. Është redaktor
kryesor i gazetës Mengjesi;
• 1877, merr pjesë në themelimin e Komitetit për Mbrojtjen e Të drejtave të
Kombësisë Shqiptare, në Stamboll;
• 1879, drejton gazetën Zëdhënësi i Lindjes, në të cilën përpos të tjerash mbron
tërësinë tokësore të Shqipërisë së të shtypuri shkronja shqip në Stamboll dhe
kryetar i saj.
• 1879, boton librin Fjalë të urta.
• 1880, me disa shokë nënshkroi protestën dërguar Konferencës së Berlinit;
• 1881, themelon revistën Java;
• 1882, boton Fjalorin frengjisht-turqisht;
• 1883, boton një përmbledhje me anekfota;
• 1885, boton romanin Robinson Kruso të përkthyer. Boton Fjalorin turqisht-
frengjisht. Punon edhe në Fjalorin shqip-shqiup;
• 1886, boton veprën Shkronjëtore e gjuhës së shqipe në Bukuresht;
• 1898, botoin në gjuhën turke Kamus ‘al-a’lam, në rreth 5000 faqe;
• 1890, boton Fjalorin e gjuhës turke;
• 1904, vdes në Stamboll.

Shkrimi është shkruar dhe botuar në revistën Dituria Islame nr. 18/1990, Prishtinë, fq.
17-21.

Zija Xholi, Sami Frashëri – Monografi (Më tej: vepra 4), Prishtinë, 1978, fq. 152.

Sabit jaha, Sami Frashëri – njeri enciklopedist, Shkëndija – e përdyjavshme arsimore-


pedagogjike dhe shoqërore, nr. 5, dt. 1.3.1990, Prishtinë, fq. 12.

Zymber Hasan Bakiu (Kruja), Bibliografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit (më tej:
Vepra 8), Prishtinë, 1984.

Vehap Shita, Sami Frashëri – Parathënmie në: Sami Frashëri, Besa (Më tej: Vepra 1),
Prishtinë, 1978, fq. 146; Krhs.: Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi,
III, Prishtinë, 1986, fq. 313.

Dhimitër Shuteriqi, Historia e letërissë shqipe, botim VI, Prishtinë 1979, fq. 129.

Vepra 4, po aty, fq. 10; Krhs.: Vepra 1, po aty, fq. 146; Vepra 8, po aty, fq. 7.

Dhimitër Shuteriqi, po aty, fq. 129.

Rexhep Qosja, po aty, fq. 535-536.

Vepra 8, po aty, fq. 287, e dhënë sipas Agah Sirri Levendit.


Ibid., fq. 288.

Ibid., fq. 288.

Shih: Lidhja e Prizrenit në dokumentet osmane (1878-1881), dokumentet i shqipëroi dhe


komentoi Iljaz Rexha, Prishtinë, 1878, fq. 188-194; Krhs.: Vepra 8, po aty, fq. 12.

Vepra 8, po aty., fq. 12. Sipas shtypit ditor turk të asaj kohe, biblioteka e Samiut kishte
rreth 20 mijë vëllimesh. Vepra 8, po aty, fq. 280; krhs.: Selaudin Çarçani, Parathënie në:
Sami Frashëri, Fjalë të urta (Më tej: Vepra 3), Prishtinë, 1979, fq. 8.

Vepra 4, po aty, fq. 12.

Fjala vjen, Zija Xholi, në monografinë e tij për Samiun thekson “se në gjithë studimin e
tij, për kulturën arabe Samiu nuk e zë në gojë fare Islamin dhe Kur’anin, prove tjetër që
flet për drejtimin e mendimit të Samiut, një drejtim illuminist dhe antiklerikal”, gjë që
nuk ëajtohet me fa\ktografinë e këtë e dëshmon çdo vepër e Smaiut por edhe përkthimi
p[që po ua ofrojmë. Z. Xholi madje as Islamin as Kur’anin nuk i shkruan me shkronja të
madhe, si emra të përveçëm, duke u munduar me mënyrën e tij t’ua zvogëlojë vlerën.
Shih: Vepra 4, po aty, fq. 49.

Islam Ansiklopedisi, pjesa 115, fq. 416 Për “Haftën” pohon se është njëra nga revistat më
serioze të kohës së tij. Citohet sipas: Vepra 8, po aty, fq. 135.

Shih: Hasan Kaleshi, Roli i shqiptarëve në letërsitë orientale, në: Përmbledhje e ligjratave
tç mabjtura në Seminarin e vitit 1975, II, boti i Fakultetit Filozofik të Prishtinës,
Prishtinë, 1976, fq. 200-201; Krhs.: Veëpra 8, po aty, fq. 74-138.

Vepra 8, po aty,. Fq. 227-228.

Ibid, fq. 241.

Hasan kaleshi,po aty, fq. 196.

Po aty, fq. 195-196; Krhs.: Vepra 8, po aty,. Fq. 222-223.

Shih gjerësisht: Sami Frashëri, Vepra 5, Shkronjëtore e gjuhës shqip, Prishrinë, 1979, fq.
7-294.

Hasan Kaleshi, po aty, fq. 198; Krhs.: Vepra 8, po aty, fq. 186-221.

Feti Mehdiu, Kamus’ul-a’lami i Sami Frashërit, Parathënie, në: Sami Frashëri, Vepra 7
(Më tej: Vepra 7), Prishtrinë, 1984, fq. 10.

Feti Mehdiu, po aty, fq. 11; vepra 8, po aty, fq. 198-221.


Vepra 7, po aty, fq. 11.

Sot të dy këto vepra janë botuar nga disa here, madje janë shkruar edhe shkrime kritike
rreth tyre, që në kohën kur është shkruar shkrimi ynë, kjo mungonte. Autori i shkrimit me
rastin e rileximit të shkrimit. Teksti ribotohet pa ndërhyrje.

Shih: Vepra 8, po aty, fq. 149-161. Gjithashtu: Shemsuddin Sami, Medeniyyeti Islamiyye,
Istanbull, 1302 hixhrij.

Shih veprën: Përhapja e Islamit.

A. S. Levend, Semsettin Sami, fq. 99, cituar sipas: Vepra 8, po aty, fq. 246.

Vepra 8, po aty, fq. 287.

Burimi: Sami Frashëri, Vepra 8, po aty, fq. 69-73, Prishtinë, 1984.

Burimi: Rexhep Qosja, Romantizmi III, Prishtinë, 1986, fq. 535-537.

You might also like