You are on page 1of 3

Humbja e kohës - krizë e rinisë

Muslimani duhet ta ketë parasyshë se Allahu është betuar në kohën, që do të thotë


se koha ka vlerë të madhe.

Shkruan: Mr. Bashkim ALIU

Koha është prej begative më të çmueshme dhe më të mëdha që Allahu xh.sh. ia fali njeriut.
Rëndësia e kohës shihet edhe në faktin se Allahu xh.sh. është betuar në kohën në Kur'anin
famëlartë.Allahu xh.sh. thotë: "Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të
sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i
përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm"[1]. Po ashtu,
edhe i dërguari i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. në disa hadithe ka treguar për rëndësinë e kohës
dhe të moshës së re të njeriut në veçanti, sepse kjo moshë është mosha e vitalitetit dhe
fuqisë.

I dërguari i Allahut thotë: "Dy begati i neglizhojnë shumë njerëz:shëndetin dhe kohën e
lirë"[2].

Po ashtu, në një hadith tjetër transmentohet se ka thënë: "Nuk do të lëvizin këmbët e njeriut
ditën e kijametit prej të qëndruarit para Allahut derisa të pyetet për pesë gjëra:Për jetën ku e
ka kaluar, për rininë në çka e ka harxhuar, për pasurinë si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar si
dhe çka ka vepruar me atë që e ka mësuar"[3].

Pra, koha ka vlerë dhe rëndësi të madhe për njeriun, sepse Allahu xh.sh. nuk na ka krijuar për
kotë, nuk na e dha moshën e rinisë krejt vitalitet dhe aftësi e fuqi për të bërë çudira që ta
harxhojmë pa mos patur kurrnji dobi dhe pa mos lënë kurrnji gjurmë në jetën e njeriut dhe në
shoqëri.

Nuk ka dyshim se një nga problemet evidente të rinisë Islame në veçanti po në përgjithësi
edhe të disa të rinjve të besimeve tjera, është mos kujdesi ndaj kohës dhe shfrytëzimit
racional të saj. Një pjesë e të rinjve, mos e teprojmë e ti përfshijmë të gjithë, nuk i kushtojnë
kujdes asaj se si e kalojnë dhe ku e kalojnë kohën, nuk janë vigjilent ndaj elementeve
destruktive dhe faktorëve negativ të cilët punojnë me të madhe që i riu musliman mos të
krijojë shprehi që ta shfrytëzojë si duhet kohën e vet, por ta humbin dhe ta harxhojnë në
gjëra të pa vlefshme.

Është e vërtetë se i riu i rinisë së hershme ndoshta nuk ka shumë preokupime sikur që ka i riu
i rinisë së vonshme, për atë duhet ta shfrytëzojë maksimalisht kohën që e ka në disponim,
sepse kur do të hyjë në moshë, kur do të krijojë familje dhe kur do t'i shtohen obligimet dhe
preokupimet, atëherë do ta kuptojë rëndësinë e kohës së lirë, por atëherë ajo nuk do të jetë
në disponim të tij dhe do të jetë e kotë të qajë për të.

Disa të rij, kohën e humbin duke qëndruar pa gjumë deri në orët e vona të mbrëmjes për
shkak mbrëmjeve gazmore, zbavitjeve, lojave të bizhozit, bisedave të pa rëndësishme me
shokë, etj. E gjithë kjo do të rezultojë me gjumë deri në mesditë apo edhe më vonë, mos
shkuarje në punë, mos kryerje e obligimeve të rëndësishme, mos shkuarje në shkollë në tërësi
apo humbje e orëve të para rregullisht, e mos të bëjmë fjalë për obligimet fetare të cilat
paraqesin anijen e shpëtimit të njeriut nga shtërngatat e djallit dhe degjenerimit.

Nëse nuk shfrytëzohet koha si duhet, apo më mirë thënë nëse humbet koha kot, nuk mund të
kemi një të rij musliman të gatshëm për kryerjen e angazhimeve që i imponon koha, nuk
mund të kemi profesionist të lëmive të ndryshme, shkencetarë të mirëfilltë, njerëz të penës,
politikan të shkathtë dhe punëtorë të sinqert, njerëz me famë apo thënë shkurt kuadro të
shëndosha.

Ja si e këshillon rininë një nga mendimtarët bashkëkohor Islam, prof. Mustafa Tahhan: "Brezi i
ri islam i cili tenton mbi vete të marrë synimin e reformës dhe ndryshimit rrënjësor të umetit
islam në drejtim të së mirës, medoemos duhet patur kujdes ndaj çështjes së kohës në
veprimin dhe aktivitetin e tij. A thua do të mund të arrijë sukses në rast se në mesin e tyre
janë më shumë prej atyre të cilët çështjes së kohës e kanë lënë pas dore? Apo prej atyre të
cilët nuk lejojnë hapjen e çështjes së kësaj teme?"[4].

I riu musliman së pari duhet ta ketë parasyshë se Allahu xh.sh. është betuar në kohën, që do
të thotë se koha ka vlerë të madhe, për atë duhet të ketë kujdes dhe të mendohet mirë që
mos e kaloj kot dhe mos e humb në gjëra të pa rëndësishme, poashtu së dyti duhet t'i shoh
tjerët, ata që arritën më larg se ne në shkencë dhe teknologji si e shfrytëzojnë kohën,
gjegjësisht të shoh se a thua vallë e kalojnë kotë dhe a e humbin në gjëra të pa vlefshme, apo
mbajnë llogari për çdo minutë të kohës së tyre.

Popujt të cilët kanë arritur në shkencë dhe teknologji dhe janë bërë sot për ne mostër që ua
kemi lakmi, këtë e kanë arritur duke e respektuar kohën dhe duke mos lejuar që t'u shkojë
koha kotë. Nëse ata nuk kishin respekt ndaj kohës, nuk do të mund të arrinin atje ku janë sot.
Me këtë rast, do t'i përmendi fjalët e mendimtarit bashkëkohor Islam Mustafa Tahhan i cili
thotë: "Vetëm njeriu i qytetëruar që i çmon vlerat e veta dhe të kohës, do të mund të bëj
mrekullira dhe lehtë të dominojë me ardhmërinë e kohës. Për dhjetë vjet Japonia arriti që nga
izolimi vetjak të arrijë në rangun më të lartë të popujve të përparuar industrialë... Kuptohet,
Japonia këtë e arriti me anë të vlerësimit dhe respektimit të kohës"[5].

Allahu xh.sh. na e fali kohën që ta shfrytëzojmë për të mirën tonë dhe për të mirën e
shoqërisë e njerëzimit në përgjithësi, e kjo nuk mund të arrihet nëse humbet dhe kalohet kot,
na e fali kohën që të punojmë për këtë dhe për botën tjetër, e nëse e humbim kotë, rrezikojmë
ta humbim edhe këtë edhe botën tjetër, ndërkaq duhet të jemi shumë të sigurtë se për çdo
minutë do të mbajmë përgjegjësi si e kemi kaluar dhe do të pyetemi nga Allahu xh.sh. se a e
kemi kaluar kohën si duhet.

I riu musliman nuk guxon për qejfin e shoqërisë ta humb kohën në gjëra të kota, sepse me
këtë e ka shkatërruar veten dhe e ka dëmtuar shoqërinë.Ata të cilët e drejtojnë në këtë rrugë,
janë armiqt e jo miqt e tij, ndërsa ai nuk guxon ta sakrifikojë ardhmërinë e tij për shkak disa
qejfeve të kota.Thënë ndryshe, nëse don që mos të vazhdojë në këtë punë të mbrapsht, ai
duhet që ta braktis shoqërinë e këtillë.

Është e domosdoshme që i riu musliman ta programojë kohën e vet, të ndajë kohë për mësim,
për shoqëri, për vizita, veprime tjera të nevojshme, obligimet fetare, etj.Nëse ai nuk e
programon kohën e vet, veç e ka hapur derën për humbjen e saj në gjëra të kota.

I riu musliman, duhet ta ketë parasyshë dhe ta dijë se humbja e kohës në gjëra të kota është
shkelje e urdhërit të Allahut, humbje e vetvetes, dëmtim i shoqërisë dhe njerëzis si dhe tradhti
ndaj kauzës, sepse jetojmë në kohën kur tjerët me shpejtësi ecin përpara, e ne nëse nuk jemi
të aftë që t'u bëjmë ballë, atëherë e kompromitojmë jo vetëm veten tonë dhe brezin tonë, por
edhe besimin të cilit i takojmë dhe brezat tjerë të kësaj feje, sepse tjerët do të thonë
muslimanët janë të prapambetur pa bërë dallim ndërmjet besimit dhe pjesëtarit të besimit,
dhe në mes gjeneratave të një besimi.
[1] Kaptina El-Asr.

[2] Hadithin e transmenton Buhariu, kitabur-rikak, babu:ma xhae fi er-rikak ve en la ajshe il-
la ajshe-l-ahireti.

[3] Hadithin e transmenton Tirmidhiju, kitabu sifeti-l-kijame ve er-rekaik ve-l-veri'ë, babu:fi-l-


kijameti.

[4] Aftësimi edukativ Islam, f.152.

[5]Aftësimi edukativ Islam, f.150.

You might also like